Month: June 2021

  • Izraeli arreston aktivisten palestineze që njoftoi për ngjarjet në lagjen Sheikh Jarrah

    Forcat izraelite arrestuan aktivisten palestineze 23-vjeçaren Muna al-Kurd e cila luajti rol të rëndësishëm duke njoftuar botën lidhur me imponimin e migrimit të detyruar ndaj banorëve të lagjes Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor nën pushtim, raporton Anadolu Agency (AA).

    Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, mësohet se forcat izraelite kryen një bastisje në shtëpinë ku Muna jeton bashkë me familjen e saj në lagjen Sheikh Jarrah dhe se ajo është dërguar në një vend të panjohur.

    Nabil al-Kurd, babai i Muna-s në një deklaratë për media tha se policia izraelite ka arrestuar vajzën e tij, Muna, dhe se aktualisht kërkohet edhe djali i tij Mohammed.

    Ndërkohë nga autoritetet izraelite nuk është bërë ndonjë deklaratë lidhur me arrestimin e aktivistes Muna.

    Njoftonte për padrejtësitë në lagjen Sheikh Jarrah

    Muna e cila në median sociale ka 1.2 milionë ndjekës, me postime përpiqej të njoftonte për të gjithë botën padrejtësitë e përjetuara në lagjen Sheikh Jarrah dhe përdorimin e forcës joproporcinonale nga policia izraelite kryesisht ndaj Palestinës.

    Aktivistët palestinezë, përfshirë Muna dhe vëllain e saj Mohammed, për të njoftuar përjetimet në lagjen Sheikh Jarrah filluan në Twitter një fushatë me hashtagun #SaveSheikhJarrah. Ky hashtag hyri në axhendën e botës brenda një kohe të shkurtër. Policia izraelite duke arrestuar Muna-n dhe vëllain e saj Mohammed synon të ulë zërin e lagjes Sheikh Jarrah.

    Gjykatat izraelite refuzuan kundërshtimet e familjeve palestineze

    Frika dhe shqetësimet e 27 familjeve palestineze të cilat për shumë vite kanë jetuar me frikën e rrezikut për t’u zhvendosur nga lagjja Sheikh Jarrah, fituan një dimension të ri me presionet e autoriteteve izraelite.

    Gjykata e Kudsit në vitin 2019 nisur nga një kërkesë e kolonëve hebrenj vendosi që 12 familjet palestineze që banonin në Sheikh Jarrah të evakuonin shtëpitë e tyre në favor të kolonëve. Sipas vendimit, 4 prej këtyre familjeve duhej të evakuonin shtëpitë e tyre deri në janar 2021.

    Pas kundërshtimit të familjeve ky vendim u apelua dhe u vendos rifillimi i procesit gjyqësor por Gjykata Qendrore izraelite kah mesi i muajit shkurt refuzoi kundërshtimin e këtyre 4 familjeve.

    Gjykata Qendrore izraelite në fillim të këtij viti vendosi që 7 familje duhet të evakuonin shtëpitë e tyre për t‘ua lënë kolonëve hebrenj.

    Së fundmi më 4 mars gjykata refuzoi kundërshtimet e familjeve palestineze që jetonin në lagjen Sheikh Jarrah kundër vendimit. Gjykata e Lartë me 2 maj i njohu afat deri më 6 maj 4 familjeve në Sheikh Jarrah që të “dakordoheshin” me kolonët hebrenj.

  • Shembet kisha e ndërtuar në mënyrë të paligjshme në oborrin e Fata Orloviq

    Është shembur kisha ortodokse e ndërtuar në mënyrë të paligjshme në oborrin e Fata Orloviq, në Konjeviq-Polje të Bosnjë e Hercegovinës. Ky akt i dha fund luftës 20-vjeçare të Fata Orloviç për të zhvendosur një objekt të ndërtuar në mënyrë të paligjshme në pronën e saj private gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, raporton Anadolu Agency (AA).

    Shembja, gjegjësisht, zhvendosja e kishës së ndërtuar në mënyrë të paligjshme, filloi herët mëngjesin e sotëm, kur makineritë e punës u shfaqën në oborrin e Fata Orloviq.

    Fotografitë në të cilat shihen makineritë e punës që tregojnë shembjen u shpërndanë nga avokati i familjes Rusmir Karkin në profilin e tij në Facebook.

    Lufta e Fata Orloviç për heqjen e kishës ortodokse, e cila u ndërtua në oborrin e saj gjatë luftës dhe agresionit në Bosnjë e Hercegovinë në fillim të viteve 1990, derisa ajo dhe anëtarët e familjes që mbijetuan ishin si refugjatë, ka zgjatur për dy dekada.

    Heqja e objektit të ndërtuar në mënyrë të paligjshme të kishës ortodokse filloi pas aktvendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg më 1 tetor 2019, i cili urdhëroi shtetin e Bosnjë e Hercegovinës të respektojë vendimet e mëparshme për të hequr kishën e vitit 1999.

    Gjykata Evropiane konstatoi se dështimi i autoriteteve për të respektuar vendimet përfundimtare dhe detyruese të vitit 1999 dhe 2001 për krijimin e së drejtës për riposedim të pronës së kërkuesit, për të cilën autoritetet e Republikës Sërpska nuk ofruan ndonjë justifikim, rezultoi në një shkelje serioze të së drejtës së tyre për pronë.

    Apeli në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg u paraqit nga Fata Orloviq dhe 13 anëtarë të tjerë të familjes së saj në 2018.

    Prona u kthye tek pronarët, kisha e ndërtuar në mënyrë të paligjshme mbeti

    Autoritetet e entitetit të BeH-së, Republikës Sërpska pas përfundimit të luftës, i kthyen pronën Fata Orloviq dhe familjes së saj, por kisha ortodokse e ndërtuar në mënyrë të paligjshme mbeti në oborrin e saj. Fata Orloviç filloi procedurat gjyqësore në vitin 2000 në gjykatat e BeH-së, të cilat përfunduan me një apel dhe një gjykim të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg në favor të saj dhe në favor të 13 ankuesve të tjerë.

    Fata Orloviç humbi burrin e saj gjatë luftës në BeH si dhe më shumë se 20 anëtarë të familjes, por pasi u kthye në Konjeviq-Polje, ajo gjeti forcë për të vazhduar luftën ligjore për zhvendosjen e kishës ortodokse të ndërtuar në mënyrë të paligjshme në pronën e saj.

    Në 20 vitet e fundit të luftës për zhvendosjen e kishës së ndërtuar në mënyrë të paligjshme nga oborri i saj, Fata Orloviç u ka mbijetuar shumë sulmeve, kërcënimeve dhe padive.

    Në deklaratën e saj të parë për mediat pasi kisha u hoq nga oborri i saj, Fata Orloviç tha se ishte e rraskapitur nga lufta e dekadave.

    “Faleminderit Zotit, kemi pritur, falë Zotit gjithçka u bë siç duhet. Nuk është e përshtatshme për mua, nuk më pëlqen, por e kam patjetër, sepse secili kërkon të veten dhe unë kërkoj timen. Më vjen mirë që kisha u hoq nga oborri, askush nuk do ta toleronte këtë, kështu që as unë nuk mundem”, tha Fata Orloviq, e cila sot është me shëndet të dobët.

    Fata gjithashtu falënderoi gazetarët për mbështetjen e tyre. Ajo shtoi se ishte koha që më në fund të ulet e qetë në oborrin e saj.

    “Të ulem aty dhe të pi kafe, mos të na ndjekin dhe rrahin në oborrin tonë, le t’u vijë fundi edhe atyre. Ata na bënë më të keqen neve dhe u erdhi fundi edhe atyre”, Fata Orlović dhe shtoi:

    “Unë kam qenë e rraskapitur për 20 vjet dhe sot ndihem keq. Unë nuk jam e lumtur dhe në të njëjtën kohë më vjen mirë që oborri im është çliruar”, tha ajo.

    Kjo grua e cila gjatë viteve i tregoi gjithë BeH-së dhe më gjerë se drejtësia është e arritshme, por që kërkon energji të madhe, dëshirë dhe këmbëngulje për ta arritur atë, nuk ka thënë kurrë në deklarata të shumta për media se kisha ortodokse i pengon asaj.

    Kisha nuk më pengon por më pengon në oborrin tim

    “Nuk më ka penguar asnjëherë, as sot. Por, më pengon në oborrin tim. Unë luftova, 20 njerëz duhet të shërbejnë dhe të dëgjojnë dhe unë atë e kam fituar (aktvendimin e Gjykatës Evropiane). Ju i dini të gjitha ato dhe Shaqiri im ishte në ushtrinë e vërtetë për dy vjet. E meritova. Fëmija im ishte dhe vdiq. Uë luftova për jetën time”, tha Fata Orloviq në një intervistë për AA në mars 2020.

    Ajo vlerëson se detyrë e çdo njeriu të ndershëm është të pranojë gabimin në mënyrë që të ecë përpara pa ngarkesën e asaj që ka ndodhur në të kaluarën.

    “Unë mendoj se një serb i vërtetë, i drejtë, i cili e di se çfarë është Zoti, çfarë është e tij, i cili di për fëmijët e tij, nuk duhet të ketë faj. Ai duhet të përkulet para meje, të kthehet dhe të thotë: ‘Fato, kemi gabuar’”, ka thënë Fata Orloviq.

    Siç u tha para më shumë se një viti nga Komuna e Bratunac-it, së cilës i përket Konjeviq-Polje, kisha po zbrazej ​​nga inventari në atë kohë dhe pritej zhvendosja. Siç u tha media në atë kohë, meqenëse nuk ka teknologji në BeH për zhvendosjen e objekteve, kisha duhet të ndërtohet nga i njëjti material dhe në të njëjtën formë në hyrje të Bratunac-it.

    Përfaqësuesit e autoriteteve të entitetit të Republikës Sërpska në vitet e fundit shpesh janë përpjekur të përdorin problemin e kishës së ndërtuar në mënyrë të paligjshme në oborrin e Fata Orloviq për qëllime politike dhe në varësi të situatës, deklaratat e përfaqësuesve politikë të RS varionin nga arritja e një marrëveshjeje për zhvendosjen, për të punuar në detaje, vendndodhje, etj., deri në atë pikë sa ata kanë ndryshuar mendimin dhe vlerësojnë se kisha nuk duhet të zhvendoset.

  • DASHURIA E VËRTETË!!

    E pyeti gruaja e sëmurë burrin e saj, se ajo nëse vdes sa do pres ta martojë tjetrën pas saj?

    Burri i tha: Deri sa të thahet dheu i varrit tënd.

    I tha: A më premton…??

    Ia ktheu se po me lejen e Allahut.

    Pas një kohe shumë të shkurtër vdiq gruaja dhe burri e vizitonte varrin e saj për çdo ditë brenda një viti… dhe varri gjithmonë ishte i lagur, dheu nuk thahej!!

    Një ditë nga ditët burri shkoi në varreza natën dhe pranë varrit të gruas e gjeti vëllain e saj. E pyeti: Çka bën këtu?

    Tha: E çoj në vend amanetin e motrës sime. Çdo dy ditë e lagi dheun që të mos thahet varri i saj!!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • Kanada, shfaqet filmi “Një Natë në Al-Aksa” i cili shpjegon përjetimet në Palestinë

    Filmi “Një Natë në Al-Aksa” me regji të Abrar Hussain shfaqet në Kanada me qëllim për të informuar komunitetin ndërkombëtar për përjetimet në Palestinë, raporton Anadolu Agency (AA).

    “Islamic Relief Canada”, një nga organizatat kryesore të ndihmës humanitare në Kanada, ka filluar shfaqjen e filmit në vend për t‘i shpjeguar komunitetit ndërkombëtar dhunën që ushtarët izraelitë kanë kryer në javët e fundit kundër muslimanëve palestinezë në Kuds, Gaza dhe Bregun Perëndimor.

    Filmi i vitit 2019 “Një Natë në Al-Aksa” fillimisht është shfaqur në qytetin Hamilton.

    Koordinatori i aktiviteteve donatore të “Islamic Relief Canada”, Ibtihaj Khan lidhur me shfaqjen e filmit që organizohet në partneritet me Shoqatën e Muslimanëve Hamilton në një deklaratë për AA tha se “Qëllimi ynë më shumë sesa të mbledhim ndihmë për Palestinën, është të rifreskojmë memoriet dhe të rrisim ndërgjegjësimin”.

    Ndërsa edhe imami i xhamisë Mountain në Hamilton, Mesud Tora tha se Palestina është plaga e botës islame që rrjedh gjak.

    Duke iu referuar ngjarjeve që kanë përjetuar vendasit 120 vite më parë në shkollat konviktore të kishës, të cilat janë bërë axhenda numër 1 në Kanada, ai tha se “Edhe sot në botën moderne, vetëm dy javë më parë u masakruan përpara syve të botës së civilizuar njerëz të pafajshëm, përfshirë 66 fëmijë. Shoqëria moderne duhet të nxjerrë mësime nga përjetimet në qytetet e Kudsit, Gazës dhe Palestinës”.

    Filmi “Një Natë në Al-Aksa” që shumë familje e shikojnë me fëmijët e tyre, do të shfaqet gjatë gjithë verës në qytete të ndryshme në formën e një kinemaje në ambient të hapur (kinema verore).

  • Qofte në salcë domatesh dhe kosi – Si ta përgatitni

    Ajo duhet të shkrijë talentin çdo ditë të javës për të kënaqur familjen por edhe për të gëzuar reputacionin e një amvise duarartë në të gjithë rrethin e ngushtë e të gjërë familjar e shoqëror.

    Një nga ushqimet që një amvisë presupozohet të dijë të gatuajë symbyllur janë qoftet.

    Përgatitja e qofteve nuk kërkon aftësi të mëdha në kuzhinë, megjithatë çdo amvisë shqiptare e di se qoftet janë art.

    Përbërësit

    2 pite rrethore ose panine

    750 gramë mish të grirë viçi ose qingji

    1 qepë mesatare të grirë hollë

    50 gramë majdanoz të grirë hollë

    500 gramë kos natyral me yndyrë

    2 lugë gjelle me gjalpë ose vaj ulliri ekstra të virgjër

    Për Salcën E Domates

    1 qepë e vogël e grirë hollë

    2 lugë gjelle me vaj ulliri ekstra të virgjër

    2 thelbinj hudhër të qëruar e të grirë hollë

    1 spec djegës i pastruar nga farat dhe i prerë

    750 gramë domate të qëruara dhe të prera në copa të vogla.

    1 lugë çaji me sheqer

    Përgatitja

    Në fillim të përgatitjes së kësaj recete do të merreni me salcën e domates.

    Skuqeni qepën deri sa të zbutet, shtoni hudhrën, specin djegës dhe kaurdisini së bashku për disa minuta.

    Shtoni domatet, kripën, piperin, sheqerin dhe lërini të gatuhen për 10 minuta.

    Ndajini pitet ose paninet në dysh, ngrohini në tostierë ose furrë deri sa të bëhen kërce dhe më pas ndajini në copa të vogla.

    Tani është rradha e qofteve.

    Mishin e grirë spërkateni me kripë dhe piper dhe përpunojeni me duar.

    Shtoni qepën, majdanozin dhe përpunojeni sërish.

    Jepuni qofteve formën e salçices së vogël ose rrethore sipas preferencës.

    Qoftet mund t’i piqni në furrë ose në skarë sipas dëshirës.

    Kur t’i servirni, në pjatë shtroni copat e pites, salcën e ngrohtë të domates dhe një shtresë të trashë kosi.

    Vendosini qoftet sipër dhe servireni menjëherë. /Lajmi.net/

  • Vendoset linjë e drejtpërdrejtë ajrore Shkup-Moskë

    Me arritjen e aeroplanit të “Nordwind” këtë pasdite në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, zyrtarisht është shënuar vendosja e fluturimit direkt Moskë-Shkup, raporton AnadoluAgency (AA).

    Hapja e linjës së drejtpërdrejtë ajrore u shënua nga Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, Ambasadori i Federatës Ruse në Shkup, Sergej Bazdnikin, Drejtori i Përgjithshëm i TAV Maqedoni, Metin Batak, si dhe përfaqësues të kompanisë Nordwind.

    Ministri Boçvarski theksoi se hapja e linjës ajrore të njërës prej kompanive më të mëdha ruse siç është “Nordwind” është e një rëndësie të veçantë për qytetarët e dy vendeve.

    “Me këtë kompani ajrore, ne mundësojmë dhe rinovojmë mundësitë e reja për avancimin e bashkëpunimit në ekonomi, investime, turizëm si dhe lidhjet kulturore midis dy vendeve”, theksoi ai.

    Linja e re u mirëprit edhe nga kompanisë TAV, Metin Batak.

    Duke vënë në dukje se është i lumtur që “Nordwind” ka vendosur të fillojë fluturimet nga Moska në Shkup, ai tha se lidhja ajrore midis dy vendeve po hapet pas një pauze 20-vjeçare.

    “TAV beson fuqimisht se linja ajrore Moskë-Shkup ka një potencial të madh dhe se do të jetë e dobishme si për biznesin ashtu edhe për ata që udhëtojnë për shkaqe rekreative”, tha Batak, duke shtuar se ardhja e kompanisë ruse në Shkup është sinjal i mirë pas pandemisë COVID-19.

    Ambasadori Bazdnikin në fjalën e tij tha se hapja e destinacionit të ri po ndodh në periudhë tejet të vështirë për turizmin në botë.

    “Unë do të doja të përgëzoja kompaninë ruse, e cila është e njohur për nivelin e lartë të shërbimit dhe sigurinë e fluturimit. Është veçanërisht kënaqësi fakti që ajo ka treguar një farë guximi me vendimin për të filluar fluturimet në një drejtim të ri në një nga periudhat më të vështira për zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit në botë”, tha ambasadori rus Bazdnikin.

    Në konferencën për media gjithashtu u tha se kompania “Nordwind” ofron fluturime në më shumë se 200 destinacione në 95 qytete në 20 vende me mbi 650 fluturime në javë.

  • Numri i xhamive vazhdon të rritet në SHBA

    Numri i xhamive ka vazhduar të rritet me një ritëm të qëndrueshëm në gjithë SHBA-në, sipas një raporti që identifikoi 2.769 xhami në vitin 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).

    “Kjo përfaqëson një rritje prej 31 për qind nga numri i vitit 2010, kur kishte 2.106 xhami”, tha raporti me titull “Xhamia Amerikane 2020: Në rritje dhe evoluim”, të publikuar të mërkurën.

    “Padyshim, forca kryesore shtytëse për rritjen e xhamive është zgjerimi i qëndrueshëm i popullsisë së muslimanëve në Amerikë për shkak të imigracionit dhe nivelit të lindjeve”, shtoi raporti.

    Sponsorët kryesorë të hulumtimit përfshijnë Shoqërinë Islame të Amerikës së Veriut (ISNA), Qendrën për Filantropinë Muslimane, Institutin për Politikë dhe Mirëkuptim Social (ISPU) dhe Shoqatën Statistikore të Organeve Fetare Amerikane (ASARB).

    Numri i pjesëmarrësve në xhami gjithashtu është rritur, sipas raportit.

    Namazi i xhumasë ka pasur mesatarisht 410 të pranishëm në vitin 2020, krahasuar me 353 në vitin 2010, që paraqet një rritje prej 16 për qind.

    “Pothuajse tre të katërtat (72 për qind) e xhamive regjistruan një rritje prej 10 për qind ose më shumë të pjesëmarrjes në xhuma”, tha raporti.

    Megjithatë, konvertimi në Islam në xhami ka rënë “në mënyrë dramatike”.

    “Nga 15,3 të konvertuar për xhami në vitin 2010, numri mesatar i të konvertuarve në vitin 2020 është 11,3”, thuhet më tej.

    “Arsyeja kryesore është rënia e të konvertuarve afromerikanë, veçanërisht në xhamitë afroamerikane”, shtoi raporti.

    Përveç kësaj, xhamitë janë duke u bërë më periferike, sipas raportit, i cili ka përmendur rënie të mëdha që kanë ndodhur në numrin e xhamive në qyteza ose qytete të vogla dhe zonat në qendër të qyteteve të mëdha.

    Xhamitë në qyteza dhe qytete të vogla kanë rënë nga 20 për qind në vitin 2010 në 6 për qind në vitin 2020.

    “Shkaku i dukshëm është zvogëlimi i popullsisë së muslimanëve në këto qyteza/qytete të vogla për shkak të konsumimit të vendeve të punës në këto zona dhe lëvizjeve të të rriturve të rinj, fëmijëve të themeluesve të xhamive dhe aktivistëve në qytete të mëdha për arsim dhe punë”, tha raporti.

    “Në vitin 2010, 17 për qind e xhamive u themeluan në zonat në qendër të qyteteve, por në vitin 2020, kjo shifër ka rënë në 6 për qind. Kjo rënie ka të ngjarë të lidhet me uljen e xhamive afroamerikane dhe lëvizjen e përgjithshme të xhamive në vendet periferike”, tha raporti.

  • “Krahu protezë”, ëndrra e vetme e vogëlushit sirian që humbi krahun në sulmet e regjimit të Asadit

    MEHMET BURAK KARACAOĞLU/AHMET KARAAHMET

    Fëmija 10-vjeçar Rakan Feris, i cili ka humbur krahun pasi është plagosur bashkë me vëllezërit/motrat e tij në sulmet ajrore që regjimi i Bashar Al-Assadit ka ndërmarrë në vitin 2017 tha se “Dëshira ime e vetme është një krah protezë”.

    Fëmijët janë ata të cilët po paguajnë koston më të madhe në Siri në të cilën nga regjimi i Assadit dhe mbështetësit e tij janë vrarë të paktën 29 mijë fëmijë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur në luftën e brendshme.

    Për shkak të luftës së brendshme që vazhdon prej marsit 2011 e deri më tani, miliona fëmijë në moshën shkollore dhe për të luajtur me lodra, po rriten në mesin e pamundësive me zërat e armëve, bombave dhe avionëve.

    Fëmija 10-vjeçar Rakan Feris, i cili bashkë me tre vëllezërit/motrat e tij është plagosur në sulmin e ndërmarrë 4 vite më parë nga regjimi i Assadit në një prononcim për Anadolu Agency (AA) me rastin e “Ditës Ndërkombëtare për Fëmijët e Pafajshëm Viktima të Luftës” tha se ka humbur njërin krah në një sulm të avionëve derisa ishte i ulur në shtëpinë e tij.

    Feris i cili jeton në kampin në rajonin Maarrat Misrin në Idlib tha: “Pasi u plagosa u transferova në Turqi. Humba dorën. Në pjesë të ndryshme të trupit tim ka copa të shrapnelit”.

    Ai bëri të ditur se nuk ka mundur të shkojë në shkollë për shkak të pamjaftueshmërisë së gjendjes së tyre financiare. “Unë nuk mund të shkollohem sepse nuk kemi para. Aktualisht mbledh plastikë dhe kujdesem për vëllezërit/motrat. Dëshira e vetme që kam është një krah protezë. Paragjykoj veshjet e mia kur shikoj fëmijët në lagje që veshin rroba të bukura”, shtoi Feris.

    Ndërsa motra e Rakan Feris, 9 vjeçarja Fevziye Feris ashtu sikurse vëllai i saj e cila ka humbur njërin krah në të njëjtin sulm tha se “Ëndrra ime është të hapë një dyqan dhe të kujdesem për familjen time dhe të jetoj si njerëzit e tjerë. Të marr fitimet nga dyqani dhe të kujdesem për vëllezërit/motrat e mia”.

    Cuziye Feris, nëna e fëmijëve tha se 3 fëmijët e saj janë plagosur dhe shtëpia e tyre është shembur si pasojë e sulmit të avionëve të regjimit derisa po qëndronin në shtëpinë e tyre.

    “Dy prej fëmijëve kanë humbur nga një krah. Ndërsa vajza tjetër e vogël Rima ka dëmtime nervore në krah. Nëse operohet bëhet si më parë por operacioni ka një kosto të lartë”, tha nëna Feris.

    Pasi vuri në dukje se fëmijët e saj nuk mund as të luajnë, nëna Feris vazhdoi më tej: “Nuk di çfarë të them, është shumë e trishtueshme. Çfarë faji kishin fëmijët? Humbën duart dhe krahët e tyre pa shikuar asgjë në jetë. Pas shembjes së shtëpisë migruam në një rajon tjetër”.

    “Fëmijët shikojnë nga fqinjët kur ata gatuajnë ushqime të mira. Ndihem keq”

    Nëna Feris thotë se përpiqen të sigurojmë jetesën duke shitur plastikat që fëmijët mbledhin nga mbeturinat. “Fëmijët e mi nuk mund të shkollohen. Sepse nuk kemi mundësi financiare. Nëse ky fëmijë shkon në shkollë ai do të kërkojë të ushqehet dhe të vishet si shokët. Nuk kam para ta përballoj këtë. Dëshira ime e vetme është që fëmijët e mi të gjejnë qetësi, të kenë shtëpi”, tha ajo duke shtuar:

    “Të kemi bagëti për të mundësuar jetesën e fëmijëve. Më parë kemi rritur dele dhe qengja. Po të kishim edhe tani do të plotësoja nevojat e fëmijëve me qumësht. Nuk dëshiroj që fëmijët e mi t‘ia kenë nevojën dikujt. Fëmijët shikojnë nga fqinjët kur ata gatuajnë ushqime të mira. Ndihem keq”.

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline