Month: June 2021

  • Biden do të takohet me presidentin Erdoğan më 14 qershor

    Presidenti amerikan Joe Biden do të takohet me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan në kuadër të Samitit të NATO-s më 14 qershor, ku do të diskutojnë çështjet dypalëshe dhe rajonale, njoftoi Shtëpia e Bardhë, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha në një deklaratë me shkrim se Presidenti i SHBA-së Biden do të udhëtojë në Britani, Belgjikë dhe Zvicër këtë muaj si pjesë e vizitës së tij të parë jashtë shtetit.

    Duke deklaruar se Biden do të nënvizojë angazhimin e SHBA-së për të rindërtuar aleancat, për të ringjallur marrëdhëniet transatlantike dhe për të bashkëpunuar ngushtë me aleatët dhe partnerët e tjerë, Psaki vuri në dukje se presidenti amerikan do të takohet me kryeministrin britanik Boris Johnson më 10 qershor.

    Psaki tha se Biden do të marrë pjesë në Samitin e G7-tës që do të mbahet në Cornwall të Britanisë më 11-13 qershor, ku ai do të vë theksin mbi çështje si shëndeti publik, rimëkëmbja ekonomike dhe ndryshimi i klimës, dhe ku do të zhvillojë takime bilaterale.

    Ajo njoftoi po ashtu se Presidenti i SHBA-së do të takohet me Mbretëreshën Elizabeta II në Pallatin Windsor më 13 qershor, ndërsa pas këtij takimi, ai do të shkojë në Bruksel, kryeqytetin e Belgjikës, për Samitin e NATO-s.

    Psaki theksoi se më 14 qershor, udhëheqësit e NATO-s do të këshillohen se si të përballen me kërcënimet e ardhshme dhe në lidhje me ndarjen efektive të barrës, duke shtuar se “Biden do të takohet gjithashtu me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan për të diskutuar shumë çështje bilaterale dhe rajonale”.

    Më 15 qershor, presidenti amerikan Biden do të marrë pjesë në samitin SHBA-Bashkimi Evropian në Bruksel dhe do të takohet me mbretin belg Philippe dhe kryeministrin Alexander De Croo.

    Nga Brukseli, Biden më 16 qershor do të kalojë në Gjenevë të Zvicrës për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin. Në Zvicër, Joe Biden do të takohet edhe me Presidentin e Konfederatës Zvicerane Guy Parmelin dhe ministrin e Jashtëm zviceran Ignazio Cassis.

  • “Spitali në Fier do të shërbejë për rritjen e miqësisë dhe vëllazërisë Shqipëri-Turqi”

    Spitali Rajonal Memorial në Fier i ndërtuar me financimin e Republikës së Turqisë ka nisur ofrimin e shërbimeve për qytetarët shqiptarë, ndërkohë, risi e këtij spitali është prezenca e stafit mjekësor nga Turqia.

    Duke folur për Anadolu Agency (AA), İlkay Güler, zv/drejtor i Spitalit në Fier dhe njëkohësisht kirurg i përgjithshëm, kujtoi vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Turqi në muajin janar, gjatë së cilës presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, premtoi ndërtimin e këtij spitali, si dhe u shpreh se vendimi për këtë spital u mor me qëllimin për t’i shërbyer rritjes së miqësisë dhe vëllazërisë Shqipëri-Turqi, e cila daton prej shumë vitesh.

    Ai tha se spitali është ndërtuar për një periudhë të shkurtër prej 68 ditësh.

    “Përvojën, botëkuptimin e menaxhimit dhe cilësinë e shërbimit tonë të arritur në sistemin shëndetësor gjatë 18 viteve të fundit, veçanërisht duam ta ndajmë duke punuar me gjithë personelin shqiptar, në veçanti me mjekët shqiptarë”, tha Güler, duke shtuar se mbështetje për personelin do të ofrohet edhe nëpërmjet trajnimeve dhe seminareve.

    Sipas tij, të pranishëm në këtë spital do të jenë 56 punonjës nga personeli turk.

    Duke theksuar se më 27 maj të vitit 2021 spitali ka pranuar edhe pacientin e parë, Güler tha: “Më 30 maj e hapëm sallën kirurgjikale me 2 operacione. Që tani kemi një interesim shumë të lartë të qytetarëve shqiptarë dhe ky fakt na ka gëzuar. Ne mendojmë dhe synojmë të bëjmë punë të mira së bashku me gjithë stafin tonë, personelin shqiptar dhe turk, dhe të kontribuojmë në zhvillimin e mëtejshëm të miqësisë shqiptaro-turke”.

    “Për momentin po punojmë vetëm me planifikime”

    Frenki Vila, kirurg i përgjithshëm dhe pjesë e stafit shqiptar, për AA tregon se deri tani pacientët kanë qenë shumë të kënaqur nga shërbimi, ndërkohë, sipas tij, edhe personeli është i kënaqur nga të gjitha kushtet e punës.

    “Padyshim që emocionet janë pozitive. Kushtet janë të mrekullueshme sidomos për një spital të ri që ka filluar nga zero dhe jemi shumë pozitiv që do të shkojë mirë dhe gjithmonë e më mirë. Kemi filluar me ndërhyrjet kirurgjikale të një shkalle që progresivisht do t’i rrisim dhe nga ana e vështirësisë. Për momentin po punojmë vetëm me planifikime”, theksoi Vila.

    Ai tha se bashkëpunimi me kolegët turq përveçse frytdhënës ka qenë edhe një bashkëpunim mjaft i mirë.

    “Do ta konsideroja si fat që neve na është dhënë mundësia që të kemi stafin turk që të na drejtojë dhe të na mësojë më shumë rreth mjekësisë në përgjithësi, por edhe në rastin tim për pjesën e kirurgjisë”, tha ai.

    “Bashkëpunimi mes stafit turk dhe atij shqiptar është i nivelit shumë të lartë”

    Pacientët e parë të këtij spitali pothuajse janë nga qytetet e jugut në Shqipëri, të cilët kanë marrë shërbime pranë spitalit, ndërkohë, për AA ata shprehen se ndërtimi i këtij spitali është një kontribut i madh për sistemin shëndetësor shqiptar.

    Ndrec Përgjegji është njëri nga pacientët shqiptar i cili shprehet se në këtë spital ka gjetur një shërbim mjaft cilësor dhe staf shumë të përkushtuar.

    Bashkëpunimi mes stafit turk dhe atij shqiptar sipas tij është i nivelit shumë të lartë, dhe shton se si mjekët turq dhe ata shqiptarë kanë ofruar “shërbimin në mënyrë perfekte”.

    “I jemi shumë mirënjohës presidentit turk, Erdoğan, dhe qeverisë shqiptare që e kanë bërë kaq bukur dhe madhështor këtë spital dhe jemi të kënaqur shumë”, theksoi Përgjegji.

    Ai tha se ngritja e këtij sepali “është një kontribut i madh për shëndetësinë shqiptare”.

    Një tjetër pacient që ka marrë shërbim në spital dhe ka kryer edhe ndërhyrje kirurgjikale është Shkëlqim Liçaj nga Fieri, i cili thekson se shërbimi është shumë i mirë.

    “Ka një preokupim nga stafi, nga mjekët, nga infermierët, nga të gjithë. Ka një pastërti, rregull, gjë që tek ne ka çaluar shumë”, thotë Liçaj, duke shtuar se do të vazhdojë trajtimin në këtë spital.

    Spitali ka një kapacitet prej 150 shtretërish

    Spitali Rajonal Memorial në Fierit u inaugurua më 21 prill të këtij viti me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga Turqi dhe Shqipëria, përfshirë edhe presidentin Erdoğan nëpërmjet videokonferencës, dhe nga data 27 maj ka hapur dyert për pacientët, ndërkohë janë realizuar edhe ndërhyrjet e para kirurgjikale me sukses.

    Spitali, i cili ka një kapacitet prej 150 shtretërish, me gjashtë salla operacionesh dhe gjashtë poliklinika, do të administrohet dhe menaxhohet nga një ekip i përbashkët shqiptar dhe turk në një periudhë tranzitore dhe në të do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

    Spitali do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë, gastroenterelogjisë, anestezisë, radiologjisë dhe traumatologjisë.

  • Austri, hiqet “Harta Islame” pasi shënoi institucionet muslimane

    Harta dixhitale e quajtur “Islam-Landkarte (Harta Islame)” e cila përmbante informacione të hollësishme rreth institucioneve muslimane në Austri, u hoq për shkak të reagimeve serioze nga qarqe të ndryshme dhe kritikave që projekti shënoi institucionet muslimane, raporton Anadolu Agency (AA).

    Qendra e dokumentacionit për islamin politik, e ngritur nga qeveria e kancelarit austriak Sebastian Kurz, më parë kishte udhëzuar profesorin e Universitetit të Vjenës, Ednan Aslan dhe ekipin e tij për të përpiluar një “hartë dixhitale”. Aplikacioni është krijuar, por aktualisht është jashtë funksionit.

    Aslan, duke dalë në faqen e internetit “www.islam-landkarte.at”, shprehu keqardhje që ky projekt shkaktoi kontroverse politike dhe që u abuzua nga disa grupe të ekstremit të djathtë.

    Ai pohon se qëllimi i tij ishte të bënte një studim që merret me të gjitha aspektet e grupeve të ndryshme islame në vend, për të mos përmendur nëse harta dixhitale është shfuqizuar plotësisht ose do të funksionojë ndryshe.

    Nga institucionet shtetërore, që momentalisht nuk punojnë për shkak të festës shtetërore, nuk u prononcuan mbi atë nëse përdorimi i aplikacionit ishte hequr.

    Pasi harta dixhitale u bë e disponueshme më 27 maj, grupet e ekstremit të djathtë në shumë xhami theksuan mbishkrime të mesazheve anti-islame.

    Qendra e dokumentacionit për islamin politik, e themeluar nën udhëheqjen e qeverisë së koalicionit të Partisë Popullore Austriake e Qendrës së Djathtë (ÖVP) dhe të Gjelbërve, ndau me publikun një hartë dixhitale të quajtur “Islam-Landkarte”, e cila përmban informacione të hollësishme për organizata të ndryshme si 600 xhami dhe qendra arsimore që u përkasin muslimanëve si dhe botëkuptimet, menaxherët dhe adresat e tyre.

    Disa qarqe e vlerësuan hartën dixhitale si diskriminuese, gjegjësisht se ajo tregon muslimanët si “kriminelë” të mundshëm. Ata pretendojnë se ky projekt duket sikur vendos një etiketë dhe se qeveria, e cila ishte “përmbytur” me hetime korrupsioni, edhe një herë u përpoq të manipulonte shoqërinë përmes muslimanëve si një mënyrë për të dalë nga një situatë e tillë.

  • AJO ËSHTË MBRETËRESHË

    AJO ËSHTË MBRETËRESHË

    Është një rrëfim i vërtet, të cilin na e rrëfen një mjek musliman prej Arabisë Saudite, ku një periudhë të jetës së tij e kaloi në studime në Angli. Gjatë studimeve jetonte me familjen e tij në një lagje të qetë, ku lëvizjet e njerëzve dhe makinave ishin aq të rralla, saqë i huaji dallohej shumë lehtë.

    Ky vëlla musliman na rrëfen dhe thotë: Fqinji im më i afërt ishte një plakë jomuslimane, e cila i kishte kaluar të shtatëdhjetat. Jetonte e vetmuar në një shtëpi të qetë, asaj nuk i trokiste askush në derë dhe nuk e vizitonte njeri. Hynte dhe dilte prej shtëpisë e vetmuar, s’kishte askënd prej të afërmeve për ta ndihmuar dhe për të përkujdesur për të. Ushqimin dhe rrobat çka i nevojiteshin i blinte vet, saqë kur e shikonte njeri e kaplonte keqardhje për gjendjen e saj. Një ditë prej ditëve kërkoi prej meje t’ia kryej një nevojë që e kishte, dhe unë padyshim pranova që me plotë dëshirë t’i ndihmoj, pasi që Islami na urdhëron që t’i respektojmë dhe ndihmojmë fqinjët tanë edhe nëse janë jomuslimanë. Plaka aq shumë u habit, edhe pse nuk bëra ndonjë vepër të madhe, ngaqë pranova t’i ndihmoj edhe atë pa të holla.

    Të nesërmen erdhi plaka në shtëpinë tonë, i solli disa ëmbëlsira për fëmijët tanë dhe me vete kishte sjellë një mirënjohje, e cila përdoret në raste manifestimi, ku ishte shprehur me fjalë falënderimi dhe respekti për atë vepër që e bëra për të. Nuk duhet të çuditemi në reagimin e saj, pasi që ajo jetonte në një shoqëri ku s’njihet fjala mirësi dhe humanitet, dhe s’dinë se çka është mëshira dhe keqardhja, marrëdhëniet mes fqinjëve në shumicën e rasteve mbarojnë me përshëndetjen e mëngjesit dhe mbrë­mjes. E nxita që ta viziton më shpesh shtëpinë dhe gruan time, dhe me të vërtet kohë pas kohe na vizitonte. Gjatë vizitave që na bënte, e kuptoi plaka se tek ne muslimanët burri është përgjegjës i shtëpisë dhe i familjes së tij. Ai përkujdeset për blerjen e ushqimit dhe rrobave dhe të gjitha nevojave familjare. Vërejti se respekti i gruas ndaj burrit është i lartë dhe po ashtu respekti i burrit ndaj gruas është i madh, pa marrë parasysh se a është vajzë, grua apo nënë, sidomos kur ajo moshohet dhe të gjithë garojnë për shërbimin dhe respektimin e saj. Kurse ai i cili s’i përfill këto ligje dhe s’e posedon këtë moral është i urryer në shoqëri. Po ashtu e vërejti sjelljen e prindit me fëmijët e tij, dhe sjelljen e fëmijëve me prindërit e tyre dhe sakrificën e nënës për burrin e saj dhe fëmijët e saj.

    Plaka e mjerë pasi që e vërejti këtë familje musli­mane, filloi ta krahasojë jetën e saj, se si jeton ajo dhe si jetojnë muslimanët në familjet e tyre. Iu rikujtuan fëmijët dhe nipat e saj për të cilët s’dinë e mjera se ku jetojnë dhe asnjëri prej tyre s’e viziton, ndoshta edhe vdes apo varroset e ata s’dinë asgjë për të. Pastaj, filloi t’ia rrëfejë gruas sime vështirësitë me të cilat ballafaqohet gruaja perëndimore në punë dhe në kryerjen e nevojave shtëpiake, ku edhe e mbaroi fjalimin e saj duke thënë se: “Gruaja muslimane qenka mbretëreshë, dhe po mos të isha në mo­shën e shkuar, do të isha martuar me një burrë musli­man sikurse burri yt dhe do të jetoja sikurse jetoni ju”.

    Pra, kjo është një dukuri që e dallon dhe e kupton çdo njeri i cili jeton dhe punon në perëndim dhe botën jomuslimane. Megjithatë disa prej muslimanëve të hu­tuar, s’iu vjen turp të vazhdojnë në imitimin e jomus­limanëve në çdo sferë të jetës dhe publikimin e librave, revistave dhe gazetave që flasin me mahnitje për drej­tat e gruas perëndimore!

    O Allah, falënderimi të takon vetëm Ty që na begatove me begatinë më të madhe, e ajo është Islami: Ata të shprehin ty mirënjohje (ta përmendin) që u bënë muslimanë. Thuaj: “Pranimin tuaj të fesë islame mos ma njihni (mos ma përmendni) mua, por nëse jeni të sinqertë Allahu juve ju bëri mirë, kur ju udhëzoi për besim.”(El-Huxhurat: 17)

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • Kush është Naftali Bennett, kryeministri i ardhshëm i Izraelit?

    Bennett i cili është një ish-komando në ushtrinë e Izraelit, gjithashtu ka thënë: “Kam vrarë shumë arabë dhe nuk shoh ndonjë problem tek kjo”

     

    TURGUT ALP BOYRAZ

    Kryeministri i ardhshëm i Izraelit, 49-vjeçari i linjës fetare nacionaliste, Naftali Bennett, njihet për pikëpamjet e tij të të djathtës ekstreme anti-palestineze, shkruan Anadolu Agency (AA).

    Ai hyri në politikë në vitin 2005 si ndihmës i Benjamin Netanyahut ndërsa nëse ai merr votëbesimin do të jetë emri i cili do heq Netanyahun nga detyra e tij pas 12 vitesh.

    Bennett i cili është një ish-komando në ushtrinë e Izraelit, gjithashtu ka thënë: “Kam vrarë shumë arabë dhe nuk shoh ndonjë problem tek kjo”.

    Politikani izraelit me kompaninë e tij të teknologjisë që e themeloi prej zero u bë milioner. Gjatë karrierës politike, thirrjet e tij kanë gjetur përgjigje tek votuesit e ekstremit të djathtë.

    Ai mbron tezën se disa pjesë të Bregut Perëndimor, tokë palestineze nën okupimin izraelit, duhet të aneksohen nga Izraeli. Më parë ishte në shumë pozita, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Arsimit Kombëtar në qeveritë e Netanyahut.

    Bennet, pas armëpushimit të arritur mes Izraelit dhe Hamasit për përfundimin e sulmeve të Izraelit ndaj Gazës muajin e kaluar në të cilën humbën jetën 254 palestinezë, arriti marrëveshje me kundërshtarin e Netanyahut, liderin e partisë opozitare “Ka Ardhmëri”, Yair Lapid për të themeluar koalicionin.

    Sipas kësaj marrëveshjeje, lideri i partisë djathtiste Yamina me 7 deputetë në Parlament, do të jetë kryeministër për dy vite. Ndërsa më pas për dy vitet e fundit këtë detyrë do t’ia dorëzojë Lapid-it.

    Duket e vështirë që një qeveri koalicioni me tetë partnerë, e përbërë nga parti të krahut të djathtë, të majtë, qendrës dhe islame që përfaqësojnë qytetarët palestinezë të Izraelit, të zgjasë kaq gjatë.

    Bennett, nëna dhe babai i të cilit kanë lindur në SHBA, gjatë gjithë karrierës së tij politike ishte në pah për stilin e tij agresiv kundër palestinezëve. Bennet në vitin 2012 u zgjodh lider i partisë “Shtëpia Hebreje”.

    Ai në vitin 2013 kishte deklaruar: “Kam vrarë shumë arabë dhe nuk shoh ndonjë problem tek kjo”.

    Bennett mbron tezën se Bregu Perëndimor “nuk është nën okupim dhe se nuk ka një shtet Palestinë”. Në vitin 2018 ai e ndryshoi emrin e partisë “Shtëpia Hebreje” në Yamina dhe mori pjesë në koalicionin nën udhëheqjen e Netanyahut.

    Në zgjedhjet e përgjithshme të 23 marsit në Izrael, partia e Bennett fitoi 7 deputetë.

  • TË DREJTAT E FEMRËS NË ISLAM

    TË DREJTAT E FEMRËS NË ISLAM

    Nuk ka asnjë sistem në botë që e vlerëson femrën ashtu siç e vlerëson Islami.
    Por,megjithate,ndaj Islamit janë hedhur shumë akuza për çështjen e femrës.
    Në shekullin e VII zullumi ndaj femres kishte arritur kulminacionin,për atë i dërguari a.s. ia dha femrës të drejtat që i takojnë,dhe e bëri femrën faktorë të rëndësishëm në shoqëri.
    Shumica e njerëzve,nuk e dinë statusin e femres sipas Islamit.Andaj hedhin gurë pas tij,e sidomos Shqiptarët,të ndikuar nga propaganda e armiqëve të
    Islamit.
    Të gjitha shpifjet që bëhen në adresë të Islamit janë të pa baza.
    Disa nga Shqiptarët,edhe pasi që e kanë pranuar Islamin,vazhdojnë ti praktikojnë ca doke të trashëguara nga Kanuni i Lekë Dugagjinit.
    Sidomos,kur është në pyetje çështja e femrës..
    Por ç’është më e keqe ,se ata i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë në emër të Islamit.
    Kurse Islami është i pastër nga akuzat e tilla.
    Këtu do të prezantojmë dy foto,në foton numër një,trajtohet femra sipas Islamit,kurse në foton numër dy trajtohet sipas Kanunit të Lekës.

    Shkruan hoxhë Zekerija Bajrami

  • “Bereqeti” dhuroi një kontingjent rroba për banorët rezident të Institutit Special të Shtimes

    Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” ka dhuruar një kontingjent me rroba për banorët rezident të Institutit Special të Shtimes.

    Kontingjenti 1400 kilogramësh i dërguar nga mërgimtarët që jetojnë në Kanada, u dorëzua sot nga drejtori i “Bereqetit” Behxhet Ajvazi si dhe nga Xheladin Fazliu, të cilët shprehen përkushtimin dhe vullnetin e tyre që banorët rezident të këtij instituti që t’u dilet në ndihmë në mënyra të ndryshme.

    Në anën tjetër, drejtori i Institutit Special në Shtime, z. Xhemajl Dugolli, shprehu falënderimet e tij ndaj Shoqatës Humanitare “Bereqeti” si dhe ndaj donatorëve që kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për të ndihmuar këtë institut.

    “Bereqeti” në vazhdimësi bën përpjekje maksimale që të jetë pranë të gjithë personave në nevojë në forma të ndryshme, por edhe instituteve të ndryshme që kanë nevojë për përkrahje në forma të ndryshme.

  • Unioni Botërorë i Dijetarëve Musliman apelon për themelimin e një fondi për Kudsin dhe Al-Aksën

    Unioni Botëror i Dijetarëve Musliman u ka bërë thirrje vendeve Islame të formojnë një fond për të mbledhur ndihma për Kudsin dhe Al-Aksën, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Në njoftimin e unionit theksohet se mbrojtja e Kudsit dhe Al-Aksës është detyrë e muslimanëve dhe se çdo neglizhencë e çështjes është krim kundër umetit (komunitetit musliman).

    Vendet muslimane u ftuan të formojnë një fond për të mbledhur ndihma financiare për Kudsin dhe Al-Aksën.

    Po ashtu në njoftimin e publikuar pas takimit online të anëtarëve të Unionit Botërorë të Dijetarëve Musliman është përgëzuar populli palestinez, Kudsi dhe Gaza për durimin, rezistencën dhe përkushtimin e tyre kundër Izraelit.

    Gjithashtu u shpreh kënaqësi për fitoren e të shtypurve në Palestinë, por gjithashtu u krye një lutje për shpirtrat e palestinezëve të vrarë në sulmet izraelite.

    Unioni Botëror i Dijetarëve Musliman u ka bërë thirrje komunitetit musliman të shmangin mosmarrëveshjet dhe të përpiqen të fillojnë një dialog.

    Deklarata gjithashtu i bëri thirrje botës Islame dhe komunitetit ndërkombëtar të përmbushin përgjegjësitë e tyre dhe të mbështesin çështjen e drejtë palestineze.

    Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Egjipti që hyri në fuqi në orët e para të 21 majit i dha fund bombardimeve 11-ditore të Izraelit në Rripin e Gazës.

    Nga sulmet izraelite në Gaza dhe në Bregun Perëndimor humbën jetën të paktën 289 persona, përfshirë gra dhe fëmijë. Sulmet po ashtu lanë gjurmë masive shkatërrimi, ndërsa qendra shëndetësore, zyra të medias dhe shkolla ishin midis strukturave të shënjestruara.

  • UNË JAM FEJA!

    UNË JAM FEJA!

    Një ditë nga ditët, burri u nis për në një udhëtim me makinë së bashku me gruan dhe fëmijët dhe rrugës e vërejti një njeri që po qëndronte në rrugë dhe u interesua për të se kush është.

    Ky njeri iu përgjigj dhe i tha:

    – Unë jam pasuria.

    Burri e pyeti gruan dhe fëmijët a ta marrin me vete në makinë? Të gjithë njëzëri i thanë se natyrisht që duhet ta merrnin, se me pasuri munden të bëjnë çfarë të duan dhe të posedojnë çfarë të duan dhe kështu pasuria hipi me ta në makinë.

    Makina e vazhdoi rrugën dhe rrugës e takuan edhe një tjetër njeri. Burri e pyeti se kush ishte?

    – Unë jam pushteti dhe pozita, – iu përgjigj ai.

    Burri e pyeti gruan dhe fëmijët se a ta marrin me vete? Iu përgjigjën njëzëri të gjithë se me pozitë dhe me pushtet munden të bëjnë çfarëdo dhe të posedojnë çfarëdo. E morën me vete dhe u nisën me makinë.

    Makina e vazhdoi rrugëtimin e saj dhe rrugës takonin njerëz të ndryshëm, si epshet, dëfrimin dhe kënaqësitë e dynjasë, derisa në fund e takuan edhe një tjetër njeri dhe burri si zakonisht u interesua për të se kush është?

    Njeriu tha:

    – Unë jam feja.

    Burri, gruaja dhe fëmijët njëzëri thanë se tani nuk është koha e tij dhe se ata e duan dynjanë dhe kënaqësitë e saj, kurse feja do t’i privojë dhe do t’ua ngushtojë rrethin dhe do të lodhen duke e mësuar hallallin, haramin dhe namazin e agjërimin. Dhe kjo e tëra do t’i rëndojë, mirëpo munden të kthehen dhe ta marrin me vete pasi që të kënaqen me dynjanë dhe atë çfarë ka në të.

    Kështu s’e morën me vete fenë dhe makina vazhdoi rrugëtimin, kur papritmas u doli një patrullë policie dhe i ndalën. Burrit i thanë të del nga makina dhe se për të rrugëtimi kishte përfunduar dhe është i detyruar të shkojë me njërin nga policët. Burri nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhë dhe çfarë kërkonte ky njeri nga ai.

    Polici iu drejtua dhe i tha:

    – Unë po e kërkoj fenë. Ku është? A është me ty feja?

    Burri ia kthehu:

    – Jo nuk është me mua, e lash në rrugë dhe nuk është larg nga këtu, mundem të shkoj e ta marr.

    -Jo nuk mundesh më, për ty udhëtimi ka përfunduar, – ia kthehu polici.

    – Mirëpo me mua në makinë është pasuria, pozita, pushteti dhe gruaja e fëmijët, – shtoi njeriu.

    Polici i tha:

    – Ata nuk të bëjnë më dobi tek Allahu dhe të gjitha do t’i braktisësh dhe ajo që do të bënte dobi ishte feja, po ti nuk e more me vete.

    – Po kush je ti? – e pyeti burri.

    – Unë jam vdekja nga e cila ishe i shkujdesur dhe nuk e llogarite fare.

    Burri filloi ta shikojë makinën dhe vërejti se në vend të tij, gruaja e drejtonte makinën dhe me të ishin fëmijët, pasuria, pushteti dhe asnjëri nuk kishte zbritur me të.

    Allahu thotë: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.”[1]

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1]              (Ali Imran: 185)

  • Për shkeljet e të drejtave të fëmijëve nuk flitet

    Çdo 1 qershor shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, e kjo ditë gjen Kosovën me statistika jo aq të mira sa i takon respektimit të të drejtave të fëmijëve.

    Rreth 72 për qind e fëmijëve në Kosovë raportohet se kanë qenë viktima të ndëshkimit fizik apo psikik.

    Kështu thuhet në një raport për periudhën 2019-2020 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

    Drejtoresha e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Donjeta Kelmendi, thotë se dhuna ndaj fëmijëve mbetet fenomen shqetësues.

    “Siç dihet, në Kosovë nuk e kemi një gjendje të mirë të fëmijëve. Kemi një përqindje të lartë të varfërisë së fëmijëve, 22.8 për qind jetojnë në varfëri dhe kemi një përdorim të lartë të shkallës së dhunës, pra rreth 72 për qind e fëmijëve kanë deklaruar se kanë qenë viktima të dhunës fizike, qoftë psikologjike. Pastaj fëmijët me aftësi të kufizuara vazhdojnë të mos kenë qasje të duhur shëndetësore, sociale apo edhe në arsim”, thotë Kelmendi.

    Sipas të dhënave të bëra publike nga ASK-ja dhe UNICEF-i, rreth 30 për qind e fëmijëve nga mosha 1 deri 14 vjeç kanë përjetuar ndëshkim fizik.

    Ndërsa 6 për qind kanë thënë se kanë përjetuar ndëshkim të rëndë fizik.

    Përveç rasteve të dhunës së prindërve ose kujdestarëve të fëmijëve, një fenomen tjetër shqetësues është edhe rritja e nivelit të dhunës mes nxënësve nëpër shkollat e Kosovës.

    Ditëve të fundit, në rrjete sociale kanë qarkulluar video-incizime të ndryshme, ku një grup nxënësish rrihnin brutalisht një nxënës tjetër.

    Përveç dhunës fizike, janë raportuar edhe shumë raste të dhunës seksuale, më shqetësuesi ishte ai i një vajze të vogël e cila u sulmua seksualisht nga tre nxënës të një shkolle fillore në kryeqytet.

    Vetëm në katër muajt e fundit, sipas Policisë së Kosovës janë raportuar 21 raste të ngacmimit seksual, pa përjashtim moshe.

    Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës për numrin total të rasteve të dhunës ndaj fëmijëve si dhe të dhunës/ngacmimeve seksuale ndaj personave të mitur. Mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

    Puna e fëmijëve në veprimtari të rrezikshme

    Fëmijëve në Kosovë u shkelën të drejtat e tyre edhe nga puna e detyrueshme.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe UNICEF-it, rreth 5 për qind e fëmijëve janë të përfshirë në punë, përfshirë punët e rënda fizike.

    Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Lindita Boshtrakaj, koordinatore nacionale e projektit MAP’16 i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, thotë se në Kosovë fëmijët janë të detyruar të punojnë në shumë sektorë.

    Sipas saj, shkeljet më të mëdha të të drejtave të fëmijëve janë në sektorin e ndërtimtarisë, bujqësisë dhe pylltarisë.

    “Kemi numër të madh të fëmijëve në rrezik në deponi të mbeturinave, në pyje, në bujqësi, në miniera sipërfaqësore të thëngjillit, në gërmim të gurëve dekorativë, në ndërtimtari dhe këto janë disa prej sektorëve me prioritet për t’u ndaluar”, thotë Boshtrakaj.

    Boshtrakaj thotë se në Kosovë nuk zbatohet plotësisht Ligji për mbrojtjen e fëmijëve dhe si pasojë shumë fëmijë, pa vullnetin e tyre detyrohen që të punojnë shpeshherë edhe punë të rënda fizike.

    “Ne vazhdojmë të mos kemi raste të raportuara as nga policia në qendra për punë sociale, as nga mësimdhënësit për nxënësit e tyre e as nga institucionet shëndetësore”, thotë Boshtrakaj.

    Fëmijët me nevoja të veçanta pa përkrahje dhe pre e dhunës në familje

    Kaltërina Misini, zyrtare për informim në organizatën që përfaqëson interesat e personave me nevoja të veçanta “HandiKOS”, thotë se në katërmujorin e parë të këtij viti ka pasur rritje të rasteve të dhunës ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta.

    Misini thotë se sipas të dhënave që kanë siguruar nga Policia e Kosovës gjatë kësaj periudhe kohore, katër fëmijë me nevoja të veçanta kanë qenë viktima të dhunës në familje.

    “Prej janarit të vitit 2021 deri tash, do të thotë gjatë katërmujorit të parë të këtij viti janë regjistruar 118 raste të fëmijëve që kanë qenë viktima të dhunës në familje, e që katër prej tyre kanë qenë më aftësi të kufizuara”, thotë Misini.

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline