Month: June 2021

  • Kryeministri izraelit dhe presidenti egjiptian diskutojnë mbi “zhvillimet e fundit në Gaza”

    Kryeministri izraelit, Naftali Bennet dhe presidenti egjiptian, Abdel Fattah es-Sisi, diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Rripin e Gazës të bllokuar dhe të dy udhëheqësit vendosën të takohen “së shpejti”, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Sipas një deklarate me shkrim nga zyra e shtypit e kryeministrisë Izraelite, Bennett dhe Sisi zhvilluan një bisedë telefonike.

    Bennett falënderoi Sisi-n për ndërmjetësimin e Egjiptit në armëpushimin midis Izraelit dhe grupeve palestineze më 21 maj dhe negociatat indirekte të shkëmbimit të të burgosurve për lirimin e izraelitëve të mbajtur nga Hamas.

    Presidenti egjiptian gjithashtu uroi Bennett për emërimin e tij si kryeministër i ri i Izraelit më 13 qershor.

    Sisi gjithashtu shprehu nevojën për të forcuar armëpushimin midis Hamas-it dhe Izraelit dhe për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza.

    Gjatë bisedës u bë e ditur se Bennett dhe Sisi ranë dakord të takoheshin “brenda një kohe të shkurtër”.

  • Rreth 1,2 miliard persona në Afrikë përballen me shumë rreziqe për arsye shëndetësore

    Rreth 1,2 miliard persona në Afrikë përballen me shumë rreziqe për shkak të kujdesit të dobët shëndetësor, raporton Anadolu Agency (AA).

    Akinwumi Adesina, president i Bankës Afrikane të Zhvillimit (AfDB), tha se jeta e 1,2 miliard afrikanëve është në rrezik nga qasja joadekuate në kujdesin shëndetësor cilësor për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

    Siç tha ai, AfDB po lufton pasojat ekonomike dhe shëndetësore të pandemisë, duke shtuar se do të intensifikojë më tej mbështetjen për vendet afrikane.

    Adesina tha se AfDB do të investojë shumë mjete në prodhimin vendas të vaksinave dhe sistemin shëndetësor afrikan. Ai paralajmëroi se vetëm 51 për qind e objekteve të shëndetit publik në Afrikë kanë ujë të pastër dhe 31 për qind energji elektrike.

    Po ashtu theksoi se Afrika importon 60 deri në 70 për qind të barnave për përdorim.​​​​​​​

  • Untitled post 74425

    – Një ditë nga ditët, një nxënëse e pasur iu drejtua shoqes së saj të varfër, dhe i tha:

    Nëna ime e bleu një makine të re dhe ajo është më e pasur se nëna e jote…

    Nëna ime e solli në shtëpi, një shërbëtore të re që ajo të përkujdeset për ne, kur ajo është në punë…

    Pra nëna ime, është më e pasur se nëna jote…

    Nëna ime solli në shtëpi një kuzhinier të shkathët që të na përgatit ushqim të shijshëm…

    Ajo është më e pasur se nëna jote..

    Nëna ime solli motër medicinale që të përkujdeset për gjendjen tonë kur të jemi të sëmurë…

    Ajo është më pasur se nëna jote…

    Nëna ime na solli një mësues të ri që të na përsërit mësimet…

    Pra ajo, është më e pasur se nëna jote…

    – Nxënësja e varfër e ndërpreu duke i thënë:

    Nëna ime na e përgatit ushqimin më të mirë, ajo përkujdeset për neve, ajo rri tërë natën zgjuar dhe përkujdeset për shëndetin tonë dhe ajo na përsërit mësimet e tona.

    Krejt këtë e bën vetvetiu, pa ndihmën e askujt!!

    Më mjafton dashuria e saj ndaj neve dhe ajo është pasuria e saj më e madhe!

    Ajo na jep bukë të nxehtë, kurse vet e ha të djesh­men!

    Ajo na jep mishin e pulës, kurse vet i ha krahët e pulës!

    Na jep ilaçe dhe para neve e fsheh sëmundjen e saj!

    Na blen rroba të reja, kurse para syve tanë i fsheh këpucët e saj të grisura!

    Më vjen keq shoqja ime… nëna ime është shumë më e pasur se nëna jote!!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • KËTO JANË NGA SHENJAT E  KIJAMETIT

    KËTO JANË NGA SHENJAT E KIJAMETIT

    Pejgamberi alejhi selam thotë: Nga shenjat e kijametit janë: kur njerëzit gjërave të shëmtuara do t’ua ndërrojnë emrin, përsh, alkoolit i thonë ujë trimash, ryshfetit i thonë dhuratë, zhveshjes i thonë modernizim, shfrenimit i thonë emancipim, mashtrimit i thonë aftësi, fyerjes së fesë i thonë fjalë e lirë, të nënçmuarit e njëri-tjetrit i thonë mendim i lirë, urdhërit në punë të mira ndalimit nga e keqja i thonë ndërhyrje në punë personale, përkushtimit në fe i thonë prapambetje zhveshjes nga morali i thonë art.
    Për të arritur kulminacionin e shfrenimit nga dy gjinitë, turpit i thonë krenari.
    O Zoti ynë, mos na dëno neve per shkak të gjunaheve që bëjnë të padishmit.
    Allahumme Amin ja Rabbel Alemin!

    Hoxhë Dr. Zekerija Bajrami

  • Arrat, Bajamet, Lajthitë – Fuqi të Forta Kundër Diabetit

    Konsumimi i arrorëve është një nga zgjidhjet natyrale më të mira për t’u mbrojtur nga mundësia e diabetit.

    Lajm i mirë për ata që pëlqejnë arrat, bajamet dhe lajthitë.

    Një ushqim i pasur me acide yndyrore Omega-3 dhe Omega-6, që gjenden tek arrorët mbrojnë kundër zhvillimit të diabetit të tipit 2, thotë një ekip ndërkombëtar i studiuesve të specializuara të Universitetit të Boston.

    Duke mbledhur të dhëna për nivelet e acidit linoleik dhe acidit arakidonik të ushqimit në pothuajse 40,000 individë nga 10 shtete, shkencëtarët zbuluan se ata me nivelet më të larta të acidit linoleik kishin një reduktim prej 35% në rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 krahasuar me ato me nivelet më të ulëta.

    Studimi u botua në botimin mjekësor në Lancet Diabetes & Endocrinology më 11 tetor 2017.

    Rezultatet tregojnë se një ndryshim i thjeshtë në ushqim arrin të ndihmojë në mbrojtjen nga diabeti i tipit 2.

    Ekipi i shkencëtarëve i cituar nga AgroWeb.org, deklaron se përhapja e diabetit të tipit 2 është duke u rritur shpejt në mbarë botën.

    Kështu që identifikimi i faktorëve të zgjidhjeve ushqimore për parandalimin e sëmundjes është me rëndësi klinike, shkencore dhe shëndetësore publike.

    Studimet epidemiologjike kanë treguar se sasi e acidit linoleik që përmbajnë arrorët është e lidhur me një rrezik të reduktuar të diabetit të tipit 2.

    Arrat, bajamet, lajthitë si zgjidhje natyrale

    Frutat arrore janë të pasura me energji dhe vlera ushqyese. Ato janë një burim i shkëlqyer i acideve yndyrore, të cilat ndihmojnë për të ulur nivelin e kolesterolit.

    AgroWeb.org tregon se mënyra mesdhetare e ushqimit, që është e pasur edhe me produktet arrore (arra, lajthi, bajame) parandalon sëmundjet koronare arteriale, duke favorizuar profile të shëndetshme të lipideve të gjakut.

    Arrorët janë burim i pasur i acideve yndyrore Omega-3 dhe Omega-6, tejet të rëndësishme për një jetë të shëndetshme.

    Studimet kanë sugjeruar se këto yndyrna shërbejnë dhe si anti-inflamatorë. Ato ulin rrezikun e presionit të gjakut, sëmundjeve arteriale koronare, hemoragjisë cerebrale, kancerit të prostatës dhe të zorrës.

    Acidet yndyrore Omega-3 dhe Omega-6 gjithashtu ndihmojnë në rastet e sëmundjeve të reumatizmës, si dhe në rastet e depresionit dhe Alzheimerit.

    Dhe mbi të gjitha frutat arrore janë shumë të pasura me vitaminë-E, një antioksidant shumë i fuqishëm.

    Vitamina E, është e nevojshme për të ruajtur integritetin e membranës së qelizave, të membranës së mushkërive dhe të lëkurës, duke e mbrojtur nga radikalet e lira./

  • Aksidentet në trafik/ Për vetëm pesë muaj humbën jetën 42 persona dhe u lënduan mbi 5 mijë qytetarë

    Një person humbi jetën gjatë ditës së djeshme në një aksident trafiku të ndodhur në autostradën ‘Ibrahim Rugova’.

    Sipas raportimeve të para theksohet se viktima vdiq në vendin e ngjarjes, pasi u godit nga një furgon në lëvizje derisa ishte duke hyrë në makinë.

    “Autostrada Ibrahim Rugova, KM 47 Duhel- Malishevë, 26.06.2021 – 15:35. Është arrestuar vozitësi mashkull kosovar, pasi që me automjet kishte goditur viktimën mashkull kosovar, i cili ishte ndalë me veturë në shiritin emergjencë dhe kishte dalë nga vetura. Si pasojë, viktima ka vdekur në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pa jetë i viktimën është dërguar në IML për obduksion.

    Por jo vetëm kaq. Gjatë 24 orëve të fundit në nivel vendi u shkaktuan mbi 50 aksidente trafiku, e shumë prej tyre me persona të lënduar.

    Humbje të jetëve, lëndime trupore e dëme materiale shkaktohen thuajse çdo ditë nëpër rrugët tona.

    Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga Policia e Kosovës është bërë e ditur se në periudhën janar-maj 2021 kanë ndodhur 37 aksidente fatale ku kanë humbur jetën 42 persona.

    Gjatë të njëjtës kohë janë regjistruar edhe 2 mijë e 753 aksidente me të lënduar, ndërsa ishin 5 mijë e 419 persona të cilët pësuan lëndime trupore.

    “Aksidente me dëme përgjatë kësaj periudhe kohore ishin 4 mijë e 855”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë.

    Gjithsej brenda kësaj periudhe pesë mujorshe ishin 5 mijë e 645 aksidente trafiku.

    Numër të madh të aksidente pati edhe në muajin qershor, e disa prej tyre çuan edhe në humbje të jetëve.

    Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar për lajmi.net se përpos aktiviteteve policore në këtë aspekt, në vazhdimësi është apeluar për kujdes tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të njëjtit të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike.

    “Një prej objektivave parësore për Policinë e Kosovës është edhe ofrimin i sigurisë rrugore për pjesëmarrësit në trafik dhe parandalimi i aksidenteve, andaj sipas planifikimeve operacionale, parashihen aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik”, u tha tutje nga PK.

    Ndryshe së fundi në kuadër të policisë së Kosovës është shtuar numri i zyrtarëve policorë të cilët janë marrë nga afër specifikisht me çështjen e aksidenteve si dhe vëzhgimin nga afër e thyerjes së rregullave në trafik.

    Të njëjtit shpesh herë kanë punuar edhe me dron, të cilët iu ndihmuan të identifikojnë edhe më shpejtë ata të cilët rrezikonin veten dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

  • Shqipëria shënon 77-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë

    Këtë vit përkujtohet 77-vjetori i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, pasi me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë 27 qershori është caktuar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.

    Në të gjithë vendin gjatë muajit qershor organizohen aktivitete përkujtimore që kulmojnë me pelegrinazhin në “Varrezat Monumentale për Shqiptarët e Çamërisë”, në Sarandë, për të përkujtuar mijëra shqiptarë që humbën jetën gjatë gjenocidit grek dhe gjatë vuajtjeve pas shpërnguljeve nga tokat e tyre.

    “Është një plagë që vazhdon të rrjedhë gjak”

    Enver Kushi, shkrimtar me origjinë nga Çamëria, njëkohësisht muzeolog dhe studiues i trashëgimisë kulturore çame për Anadolu Agency (AA) tregon se si janë dokumentuar masakrat nga vetë dëshmitarë okularë nga popullsia çame.

    “Është një plagë që vazhdon të rrjedhë gjak, ka 77 vite që rrjedh gjak. Unë jam rritur me qindra rrëfime për atë që ka ndodhur në Çamëri. Gjithçka nisi në Paramithi, një nga qytetet e rëndësishme të Çamërisë, me tradita, familje të mëdha, me shumë kulturë. Dëshmitarët okularë, që kemi intervistuar me sytë e tyre kanë parë llahtarinë. Ka nisur (masakra) paraditen e 27 qershorit të vitit 1944 kur bandat zerviste mësynë në këtë qytet, por mësynë pabesisht”, shprehet Kushi.

    Ai ka arritur të mbledhë dhe ruaj dokumente dhe fotografi rreth masakrave, dëbimit të çamëve nga trojet e tyre dhe kampeve të refugjatëve çamë në Shqipëri.

    “Unë kam disa lista emërore që janë autentike, pra lista emërore të hartuara mendoj në vitin 1945 nga njerëz që i kanë parë nga afër këto lloj masakrash, me emrat e atyre fëmijëve që janë masakruar. Në asnjë vend të botës, në historinë e njerëzimit, në asnjë luftë, sado e egër, e pamëshirshme të jetë dy gjëra nuk preken, fëmijët dhe gratë si dhe të sëmurët mendorë. Unë kam lista të fëmijëve të masakruar. Bandat zerviste thyen çdo gjë njerëzore. Kam një listë emërore të grave të masakruara, një listë të të sëmurëve mendorë. Unë kur i prek këto lista më dridhen duart sepse janë fëmijë”, tregon ai duke theksuar së fëmijët e masakruar ishin të moshave të ndryshme, duke përfshirë edhe foshnje disamuajshe.

    Në listën që Kushi disponon të hartuar nga dëshmitarë okularë, ku përfshihen emrat e qindra të vrarëve, veçon numrin 42. “Djali quhet Nail Gjinika, nga Margëlliçi, 13-vjeç, dhe shënimi në anën e emrit të këtij djali është ‘pjekur në furrë’. Po e rrëfej këtë që opinioni publik shqiptar dhe jo shqiptar ta dëgjojë dhe të tronditet nga ky akt makabër. Bandat se të tillë ishin, jo vetëm grabisnin, por masakruan të pafajshmit, fëmijët dhe gratë, të pambrojturit”, shprehet Kushi, që sipas tij janë rrëfyer dhe dokumentuar nga dëshmitarët e masakrave ndaj popullsisë çame.

    “Prindërve iu solla si dhuratë nga vendlindja një gur dhe degë ulliri”

    Kushi tregon se prindërit e tij që lindën në një fshat pranë Filatit, u shpërngulën gjatë valës së gjenocidit, duke lënë gjithçka në trojet e tyre.

    Ai tregon se e ka vizituar disa herë Çamërinë. “Shkova në fshat dhe kisha në kokë të gjithë gjeografinë e fshatit. Këmbët çuditërisht instiktivisht më çuan pranë shtëpisë ku ka lindur stërgjyshi, gjyshi, babai im dhe nëna ime, sepse janë nga një fshat. Nuk çova dhuratë tjetër, por mora një gurë, mora dhe degë ulliri, i futa në një qese dhe erdha në Shqipëri. Babai kur preku gurin dhe degën e ullirit filloi të qajë, filloi të qajë si fëmijë. Kur ai ndërroi jetë unë tek koka e varrit vura këtë gur. Të njëjtën gjë bëra edhe për nënën time dhe janë dy gurë”, rrëfen ai i përlotur.

    Kushi thekson se edhe autorë grekë kanë folur për masakrat. “Them kasaphanë dhe këtë e dëshmojnë edhe autorët seriozë grekë. Unë po citoj një autor libri i të cilit është përkthyer në gjuhën shqipe, bëhet fjalë për profesor Jorgo Margariti në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar” ku mes tjerash flet për ditën e masakrës në Paramithi dhe thotë se atë ditë qyteti i Paramithisë u kthye në kasaphanë. Në rrugët e këtij qyteti gjeje fëmijë të masakruar, gra, vajza, pleq të të gjitha moshave me koka të prera, me barqe të çara”, tregon Kushi.

    Ai thotë se për zgjidhjen e çështjes çame që ai e konsideron komplekse, përgjegjësia i takon përveç faktorit politik shqiptar dhe çam edhe shtetit shqiptar dhe sipas tij shteti shqiptar duhet patjetër ta ketë në objektivat e tij zgjidhjen e kësaj çështjeje.

    “Kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë janë të drejta”

    Alket Veliu, njohës i çështjes çame dhe drejtues i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsin”, për AA tha se ky përvjetor e gjen çështjen çame në luftën dhe përpjekjen e komunitetit çam për të rikthyer ato të drejta të mohuara 77 vite më parë, sipas tij, me ato të drejta që kanë të bëjnë më kthimin e kësaj popullsie shqiptare në trojet e veta.

    Në lidhje me përpjekjet e shtetit shqiptar për çështjen çame ai tha se kjo duhet shikuar në dinamikën që ka vetë çështja në fjalë.

    “Edhe këto 30 vite ka pasur ulje-ngritjet e veta, në përpjekjet e qeverisë shqiptare për çështjen çame. Mund të them si një nga arritjet që kemi patur është njohja e datës 27 qershor si dita e gjenocidit grek kundër popullatës shqiptare të Çamërisë. Më tej pastaj rezoluta është një nga pikat më të rëndësishme që është arritur. Këto janë momentet më të rëndësishme të luftës për çështjen çame”, tha Veliu.

    Ai thekson se në ditët e sotme ka komplet një trend tjetër, sipas tij “drejt lënies në harresë ” të çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.

    “Kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë janë të thjeshta dhe të drejta. Them të thjeshta pasi kërkohet kthim në trojet e veta. Nëse do të kishim një sugjerim edhe për qeveritë shqiptare unë do të përmendja kërkesën nga axhenda evropiane për çështjen çame apo për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi e artikuluar kjo nga komisioneri Hahn (ish-komisioneri i BE-së për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit i Bashkimit Evropian (BE)), ku një nga pikat e rëndësishme në diskutimet mes dy vendeve është pikërisht diskutimi për çështjen çame dhe zgjidhja e kësaj çështjeje. Pra, shteti shqiptar mjafton të zgjedhë axhendën evropiane në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi”, tha ndër të tjera Veliu.

    Në raport me marrëdhëniet me Greqinë, qasja e shtetit shqiptar në lidhje me çështjen çame, sipas Veliut, duhet të jetë që të kërkojë të drejtat që i takojnë këtij komuniteti, që “janë të drejtat pronësore, janë të drejtat për edukim edhe për pjesën e shqiptarëve që kanë mbetur në Çamëri, për ata të besimit ortodoks”.

    Ai thekson se kanë sjellë në vëmendje të publikut shqiptar fakte, dokumente të shkruara, por edhe rrëfime nga ata që kanë qenë vuajtësit e këtij gjenocidi. “Në këto 30 vite ka patur edhe botime nga studiues, historianë të ndryshëm të cilët e kanë dokumentuar këtë gjenocid që ka ndodhur në Çamëri”, shprehet Veliu.

    “Padyshim që ne sot jemi në një luftë në mbrojtje të kauzës tonë dhe në përballje me ata që duan ta çojnë në harresë këtë kauzë, por të gjithëve do t’ju kujtoj se ne jemi në këmbë, ne jemi gjallë, ne do të jemi përballë kujtdo që do ta luftojë kauzën çame. Sikur edhe çami i vetëm të mbetet ai do të luftojë për kë të kauzë”, thotë Veliu.

    Gjenocidi në Çamëri

    Masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe do të kulmonin në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre, ndërkohë që sot ende kjo plagë është e hapur.

    Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame.

    Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë muslimanë të Çamërisë që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë.

  • Vazhdon rënia e numrit të nxënësve shqiptarë në Luginën e Preshevës, është përgjysmuar për dhjetë vjet

    Nga viti 2010 e deri më sot, nëpër shkollat fillore shqipe në Luginën e Preshevës numri i nxënësve shqiptarë është përgjysmuar. Nga 7.246 sa kanë qenë në vitin 2010/11, dhjetë vjet pas janë vetëm 3.982 nxënës.

    Shpërnguljet e mëdha të popullsisë nga vendet rurale në ato urbane, emigrimi dhe rënia e natalitetit, kanë ndikuar që shumë shkolla fillore shqipe në Luginën e Preshevës të vijojnë mësimin me pak nxënës, madje disa prej tyre me vetëm një apo dy.

    Në tri komunat e banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë: në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, numri i filloristëve shqiptarë është përgjysmuar për dhjetë vite me radhë. Nga të dhënat e siguruara nga drejtoritë e këtyre shkollave vërehet një rënie enorme nëpër vendbanimet rurale, sidomos ato në pjesën e Malësisë së Bujanocit e Karadakut të Preshevës.

    Shkolla Fillore “Migjeni” në Muhoc të Bujanocit në vitin shkollor 2010/11, ka pasur gjithsej 246 nxënës, ndërsa në këtë vit shkollor, gjegjësisht më 2020/21 ka vetëm 90.

    Një rënie e tillë vërehet edhe në fshatin më të madh të Bujanocit, në Tërnoc. Shkolla Fillore “Muharrem Kadriu”, në vitin shkollor 2010/11 ka pasur gjithsej 1.150 nxënës, kurse tani ka vetëm 467.

    Në shkollën “Ali Bektashi” në fshatin Nesalcë, në vitin shkollor 2010/11, kanë qenë gjithsej 441 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 177.

    Në Shkollën Fillore “Desanka Maksimoviq” në fshatin Bilaç, në vitin 2010/11 kanë qenë 529 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 235.

    Në shkollën Fillore “Sami Frashëri” në fshatin Lluçan, në vitin 2010/11 kanë qenë 462 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 214.

    Në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në qytet në vitin shkollor 2010/11 kanë qenë 437 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 401.

    Në shkollat fillore në Komunën e Preshevës, gjithashtu vërehet një rënie e madhe e nxënësve, sidomos nëpër fshatra.

    Në Shkollën Fillore “Dituria” në fshatin Corroticë, në vitin shkollor 2010/11, kanë qenë 402 nxënës, në vitin 2020/21 janë 198.

    Në Shkollën Fillore ”9 Maji” në fshatin Leran, në vitin 2010/11 kanë qenë 551 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 220.

    Në Shkollën Fillore “Selami Hallaçi” e fshatit Rahovicë, në vitin 2010/11 kanë qenë 534 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 295.

    Në Shkollën Fillore “Migjeni” e fshatit Caravajkë në vitin 2010/11 kanë qenë 83 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 38.

    Në Shkollën Fillore “Zenel Hajdini” e fshatit Raincë në vitin shkollor 2010/11 kanë qenë 289 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 254.

    Në Shkollën Fillore “Ibrahim Kelmendi” në qytet në vitin 2010/11 kanë qenë 2.035 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 1.347.

    Shkolla Fillore “Abdulla Krashnica” e fshatit Miratoc kanë refuzuar t’i japin të dhënat pa ndonjë arsye.

    Gjithashtu, edhe në shkollat fillore në Medvegjë ka një rënie të dukshme për dhjetë vjet. Megjithatë, atje vetëm një shkollë administrohet nga shqiptarët, vetëm Shkolla Fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Tupallë.

    Nga të dhënat e kësaj shkolle, në vitin 2010/11 kanë qenë të regjistruar 21 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë vetëm 13. Sipas zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar në këtë komunë, në vitin 2010/11 kanë qenë afërsisht 86 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë vetëm 46.

    Shumica e drejtorëve nga këto shkolla kanë thënë që zvogëlimi i numrit të nxënësve ka ndikuar për shkak të rënies së natalitetit, por edhe gjendjes së vështirë ekonomike, e që për pasojë i detyrojnë familjet e shumta të ikin drejtë vendeve të perëndimit.

    Drejtori i Shkollës “Zenel Hajdini” në fshatin Raincë të Preshevës, Shukri Ymeri u ka bërë thirrje autoriteteve komunale të bëjnë më shumë investime nëpër shkolla, gjë e cila mungon sidomos nëpër fshatrat malorë të këtyre komunave.

    “Politika apo pushteti lokal i Preshevës duhet të bëj më shumë dhe urgjent një politikë shpresëdhënëse për këtë pakicë shqiptare që ka mbetë ende këtu”, ka thënë Ymeri, e që njëjtë sikurse ai mendojnë edhe shumica e drejtorëve të tjerë, të cilët apelojnë për kushte më të mira.

    Kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi ka thënë se ky institucion ka për objektiv arsimin cilësor dhe se janë të përkushtuar në zgjidhjen e problemit të përdorimit të librave shqip, gjë e cila iu është mohuar nxënësve shqiptarë në këtë rajon për gati dy dekada.

    “Këshilli Kombëtar Shqiptar që në fillim ka përcaktuar si objektiv arsimin cilësor për shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Kuptohet se për të pasur arsim cilësor nënkupton arritja e standardeve të nevojshme për realizim. Andaj, jemi shumë të fokusuar në sigurimin e lejeve të përdorimit të teksteve mësimore nga Republika e Shqipërisë dhe vitin e kaluar patëm një sukses të jashtëzakonshëm edhe pse ende nuk janë siguruar të gjitha librat shkollor për shkollat fillore e me standardet e reja të arsimit nuk kemi asnjë̈ tekst mësimore për shkollat e mesme.

    Sigurisht, rënia e numrit të nxënësve ka rrezikuar seriozisht funksionimin e procesit edukativo-arsimore në radhë të pare në shkollat që funksionojnë̈ në vendbanimet rurale”, ka thënë Mustafi.

    Vitin e kaluar KKSH ka bërë shpërndarjen e librave shqip nga Shqipëria për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, e cila është bërë e mundur përmes një marrëveshje midis Ministrisë së Arsimit në Shqipëri dhe asaj në Serbi.

    Mustafi ka potencuar se shumica e shkollave fillore, sidomos ato nëpër vendbanimet rurale nuk kanë kushte esenciale për të vijuar procesin arsimor.

    “Në kushte optimale edhe pse kemi gati gjysmën e kuadrit arsimore me kontrata me afat të caktuar çfarë shprehet në pasigurinë e mësimdhënësve, aq më tepër kur emërimin dhe shkarkimin e bën Ministri i Arsimit nga Beogradi.

    Ndërkohë që kemi shkolla që nuk kanë qasje fare në internet e rrjet të telefonisë. Disa kanë mungesë edhe të ujit. Megjithatë, nxënësit shqiptarë mbeten të hendikepuar me mungesën e teksteve mësimore si e drejtë themelore tek të drejtat e fëmijëve për arsim të dinjitetshëm”, shprehet Mustafi.

    Ai thotë se janë të angazhuar që bashkë me Republikën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë të sigurojnë progres në të ardhmen.

    Për të zhvilluar procesin e arsimit cilësor, duhet të ketë kushte esenciale. E për të pasur kushte esenciale, duhet investime. Një gjë e tillë shpesh anashkalohet nga pushtetet lokale në këto tri vendbanime shqiptare në Serbi, e jo vetëm, investime nuk ka as nga ana shtetërore.

  • KAFEJA E HIDHËT DHE FEJESA E VAJZËS

    KAFEJA E HIDHËT DHE FEJESA E VAJZËS

    Ishte një vajzë shumë e bukur dhe e pamartuar, jo se nuk kishte oferta për martesë, ata që i propozonin martesë ishin të shumtë dhe shtoheshin për çdo ditë, mirëpo ajo refuzonte çdo ofertë.

    Kur vinte ndonjë djalë me ofertë, prindi e ftonte t’u shërbejë kafe me qëllim që ta sheh atë që i propozon martesë, mirëpo çdo herë në fund e lajmëronte se nuk dëshiron të martohet me atë djalë.

    Prindi filloi të zhgënjehet nga çështja e saj, mirëpo nga dashuria e madhe që e ndjente ndaj saj, nuk e mundonte me fjalë që mos t’ia lëndojë zemrën, edhe pse në vetvete e mundonin fort refuzimet e saj të çdo oferte që i vinte për çdo ditë.

    Një ditë nga ditët, erdhi një djalë me një ofertë të re për martesë. Në pamje ishte një djalë i ri, i pashëm dhe i edukuar. Vajza pasi që e shërbeu me kafe, doli ta lajmërojë prindin e saj, se ky është ai të cilin e do për burrë dhe me të është e kënaqur ta shoqërojë.

    Këtë herë prindi i saj nuk mundi ta fsheh gëzimin e tij, dhe i tha: Bija ime, më njofto se çka vërejte te ky djalë, kurse te tjerët nuk e vërejte?! Ty të erdhën oferta nga më të pasur dhe më me pozitë se ky, dhe të gjitha i refuzove!!

    Vajza, të cilës Allahu i kishte pas dhënë bukuri dhe mençuri, iu përgjigj: O prindi im, kur kërkoje nga unë që të shërbej kafe me qëllim që të më sheh djali që ka ardhur të ma kërkojë dorën, unë i shërbeja kafe të hidhët, pa sheqer. Ai në ato momente i mbante sytë tek unë, i mahnitur nga bukuria ime, por kur e shijonte kafen e hidhët, largonte shikimin nga unë, harronte prezencën time dhe nuk më shikonte më. Kur e fillonte bisedën, fliste për pasurinë dhe për pozitën e tij në mesin e njerëzve. Kurse ky djalë kur e piu kafen, edhe pse ishte e hidhët, vazhdoi të më shikojë, buzëqeshi me mua dhe e piu deri në fund.

    Ndjeva se e kuptoi domethënien e kafes së hidhët dhe se e kuptoi se unë, dua që ndokush t’i ndajë me mua vështirësitë para gëzimit dhe pikëllimin tim para lumturisë.

    Ndjeva se ai e kuptoi se mëshira dhe dashuria mes dy vetave rriten kur jeta është e hidhët, para se të jetë e ëmbël, dhe se ato nuk zbehen nëse i dalin përpara pengesa në rrugë.

    E pranoi bukurinë time dhe seriozitetin tim dhe e piri kafen time të ithët. Pranoi të jemi së bashku në të ëmblën dhe në të hidhurën, kurse këtë nuk e kuptuan të tjerët.

    Prindi i saj foli dhe i tha: Bija ime, Allahu të bekoftë dhe diturinë dhe dritën ta shtoftë.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • Mbi 23 mijë nxënës i nënshtrohen sot Provimit të Maturës Shtetërore

    Mbi 23 mijë maturantë do t’i nënshtrohen sot Provimit të Maturës Shtetërore, në 177 qendra të testimit.

    Sipas MASHTI-t në proces janë angazhuar mbi 2 mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikëqyrës, 200 vëzhgues, ndërsa rezultatet e testit pritet që të shpallen më 5 korrik.

    “Në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë”, thuhet nw njoftimin e MASHTI-t.

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet i përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, prandaj kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI. Ndërsa, ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi.

    Bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësishtë mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit.

    Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, rezultatet e provimit të maturës shtetërore pritet të shpallen më datën 5 korrik.

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline