Author: KushtrimGuraj

  • Kek me kakao

    Kek me kakao

    Përbërësit

    350 gr miell (që fryhet vetë)

    400 gr gjalpë

    6 vezë

    300 gr sheqer

    60 gr kakao

    1 lugë kafe fryrës

    1 bishtajë vanilje

    1 lëkurë portokalli e grirë

    • Nëse nuk dëshironi të përdorni vezë, mund të përdorni pure apo salcë jo të ëmbël molle. Pjekja do të kërkojë pak më shumë kohë se sa kur përdorim vezët.
    • Si zëvëndësues të produkteve të bulmetit mund të përdorni qumësht bajameje ose qumësht arrë kokosi.
    • Për një kek me kakao pa gluten, përdorni miell që përcakton mungesën e glutenit.

    Udhëzimet

    Kalojmë në sitë miellin, kakaon dhe fryrësin. Ndërkohë ndezim furrën në temperaturën 170 gradë.

    Vendosim në mikser gjalpin, sheqerin, vaniljen dhe lëkurën e portokallit. I përziejmë mirë në shpejtësi mesatare për 5 minuta.

    Gjatë përzierjes hedhim një nga një vezët në masën në mikser.

    E ulim pak shpejtësinë e përzierjes dhe shtojmë miellin, kakaon dhe fryrësin.

    Fikim mikserin dhe vendosim masën e përgatitur në një enë në formën e kekut (me diametër 24 cm).

    E pjekim në furrë për 50 minuta në 175 gradë.

  • Turqia eksporton autobusë, minibusë dhe midibusë në 99 vende

    Turqia në vitin 2020 ka eksportuar autobusë, minibusë dhe midibusë me vlerë mbi 1.52 miliardë dollarë në 99 vende, raporton Anadolu Agency (AA).

    Sipas të dhënave nga Shoqata e Eksportuesve të Industrisë Automobilistike “Uludag” (OIB) të përpiluara nga AA, shumica e shitjeve kanë qenë në vendet e Bashkimit Evropian, gjegjësisht në Francë (286.7 milionë dollarë), Gjermani (264.7 milionë dollarë) dhe Itali (132 milionë dollarë).

    Eksportet prej 683.4 milionë dollarë në këto tre vende përbëjnë 44.91 për qind të shitjeve totale të autobusëve, minibusëve dhe midibusëve.

    I katërti në listë është Maroku, në të cilin eksportet u rritën me 66 për qind dhe arritën afër 75.3 milionë dollarë.

    Shitjet drejt Gjeorgjisë qëndruan në 51.9 milionë dollarë, duke shënuar rritje prej 96 për qind në të njëjtën periudhë, ndërsa vendi në fjalë u rendit i pesti.

    Për më tepër, eksportet në Suedi pothuajse janë katërfishuar me një rritje prej 292 për qind për të arritur në rreth 38 milionë dollarë. Shitjet në Arabinë Saudite u rritën me pothuajse 4.5 herë vlerën e tyre të mëparshme ndërsa Egjipti shënoi rritje më shumë se 84 herë mbi nivelin vjetor.

  • KËSHTU KUPTOHET FEJA

    KËSHTU KUPTOHET FEJA

    Një grua dëgjoi se Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai!, i mallkoi ato gra që e ndryshojnë natyrshmërinë e tyre të krijimit, si shkuljen e vetullave, ndarjen mes dhëmbëve për zbukurim etj.

    Gruaja u nis drejt tij ta pyesë për këtë çështje dhe Ibën Mesudi iu përgjigj:

    – E pse unë të mos i mallkoj ato gra, kur i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, i mallkoi ato dhe po ashtu kjo ndalesë është në Librin e Allahut?

    Gruaja e habitur i tha:

    – Unë e kam lexuar krejt Kuranin, mirëpo nuk kam hasur në ndonjë ajet që aludon në ndalesën e këtyre gjërave.

    Këtu u paraqit urtësia e një dijetari të mençur, i cili e kupton fenë shumë mirë dhe i tha:

    – A nuk e lexove ajetinÇfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.”[1]

    Gruaja iu përgjigj:

    – Po.

    – Atëherë edhe Kurani e ka ndaluar një gjë të tillë, – i tha Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1]              (El-Hashër:7)

  • BE ofron mbështetje për përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë

    Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, ka prezantuar programin për mbështetje të sektorit të drejtësisë në Kosovë me një buxhet prej 7 milionë eurosh, raporton Anadolu Agency (AA).

    Programi i cili ka për qëllim reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, u prezantua nga ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog, së bashku me përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial si dhe nga Akademia e Drejtësisë.

    Volkmar Theobald nga sektori i drejtësisë në Zyrën e BE-së në Kosovë, tha se qëllimi i këtij projekti është forcimi i kapaciteteve dhe rritja e bashkëpunimit të institucioneve të sektorit të drejtësisë.

    “Dëshirojmë të forcojmë pavarësinë, llogaridhënien, profesionalizmin dhe kualitetin, efikasitetin dhe transparencën e këtij sistemi”, theksoi Theobald.

    Me këtë mbështetje në sektorin e drejtësisë, Theobald tha se BE dëshiron që të përmirësohet qasja në drejtësi sidomos për gratë si dhe grupet e margjinalizuara.

    Përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Pranvera Ejupi, tha se ky projekt është një nga më ambiciozët dhe projektet më të nevojshme për institucionet e drejtësisë në vend.

    “Ky është një projekt, aktivitetet dhe objektivat e të cilit fokusohen tek nevojat dhe përmirësimi i dobësive të sistemit tonë të drejtësisë”, theksoi Ejupi duke shtuar se programi do të përfshijë 450 aktivitete për të përforcuar sistemin e drejtësisë.

    Projekti i cili kishte filluar të ideohej nga tetori 2020, do të zbatohet deri në janar të vitit 2024.

    12 ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë që do të nisin punën nga 1 shkurti në kuadër të këtij programi, synojnë të ndihmojnë institucionet në konsolidimin e kornizës ligjore dhe institucionale, forcimin e pavarësisë, paanshmërisë, llogaridhënies, dhe transparencës së gjyqësorit dhe po ashtu qasjen në drejtësi për çdo qytetar, veçanërisht për gratë dhe grupet e pafavorizuara ose të margjinalizuara.

  • Tartë çokollate

    Tartë çokollate

    • Tarta është më e mirë ditën kur gatuhet, por mund të përgatitet dhe 1 ditë më parë dhe të shërbehet e ftohtë. Silleni në temperaturën e dhomës para se ta shërbeni.

    Përbërësit

    500 gr brumë sable (për tart)

    300 ml pana (hopla)

    400 gr çokollatë

    1 lëkurë limoni jeshil (lime)

    1 bishtajë vanilje

     

    Udhëzimet

    Hapim brumin në formë pete jo shumë të hollë. E vendosim në një tavë për ta pjekur për 8 minuta në temperaturë 170 gradë dhe e lëmë të ftohet.

    Në një tenxhere vendosim panën të vlojë, bashkë me mjaltin dhe vaniljen. Më pas, ashtu të ngrohtë, e hedhim në një enë, në të cilën kemi vendosur çokollatën e prerë në copëza.

    I përziejmë mirë derisa çokollata të shkrijë mirë dhe më pas e lëmë të ftohet.

    E vendosim këtë masë në tartën e pjekur. E lëmë masën të mpikset dhe të ftohet mirë (minimumi 2 orë) dhe tarta me çokollatë është gati për t’u shijuar.

  • RRËFIMI PËR PLAKËN QË VDIQ NË SEXHDE

    RRËFIMI PËR PLAKËN QË VDIQ NË SEXHDE

    Ngjarjen në vijim na e rrëfen familja e një plake, e cila në atë kohë i kishte arritur të tetëdhjetat dhe jetonte në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite. Plaka një ditë nga ditët ulet me disa gra, mirëpo e vërejti se ato kohën po e kalojnë në muhabete e thashetheme, në përgojim e bartje të fjalëve, filania e gjatë e tjetra e shkurtër, njëra e bukur e tjera e shëmtuar, njëra e martuar e tjetra e ndarë etj. Plaka e vërejti se aty s’ka fare dobi dhe u largua në shtëpinë e saj për ta përmendur Allahun, ashtu siç edhe vepronte gjithmonë.

    E mori sixhadenë dhe filloi të falë namaz nate, ashtu siç e kishte traditë edhe netëve tjera, mirëpo kjo natë do të dallohet nga ato tjerat me diçka. Duke u falur plaka nxjerrë një zë dhe kjo ia tërhoqi vëmendjen birit të saj, të cilin e kishte të vetëm dhe e respektonte nënën shumë. I biri hyri në dhomë dhe e pa nënën se kishte ra në sexhde dhe kishte mbetur në atë gjendje. Plaka e thirri duke i thënë:

    – O biri im, në këtë moment nuk më lëviz nga trupi asgjë, përveç gjuhës.

    I biri i tha:

    – Nëna ime, do të dërgoj shpejt në spital.

    Plaka ia kthehu:

    – Jo, o biri im, më lër këtu.

    – Jo, pasha Allahun, do të shkojmë në spital, – i tha djali.

    Mjekët mblidhen shpejt të shohin se çfarë të bëjnë, mirëpo e shohin se janë të pafuqishëm për të bërë ndonjë gjë. Plaka i drejtohet të birit dhe i thotë:

    – O biri im, për hir të Allahut, të lutem më dërgo në shtëpi dhe te sixhadeja ime.

    Kthehet plaka në shtëpi, i biri i jep abdes dhe e vendos mbi sixhadenë e saj, dhe në atë gjendje që ishte fillon të falet.

    I biri vazhdon me rrëfimin.

    Pas një kohe të shkurtër, para sabahut, nëna ime më thirri dhe më tha: “O biri im, të lë në mbrojtje të Allahut, i cili i mbron robërit e Tij dhe nuk i humb” dhe tha: “Esh-hedu en la ilahe il-lAllah ue esh-hedu en-ne Muhameden resulullah.” Pastaj i mori frymëmarrjet e fundit dhe ndërroi jetë.

    Nuk i mbeti të birit tjetër, përveç se t’ia lajë xhenazen, ta qefinosin, ta bartin për t’ia falur namazin, e pastaj ta dërgojnë deri te varrezat dhe t’ia zgjerojnë varrin më shumë që ta varrosin duke qenë në atë gjendje – në sexhde.

    Njeriu sikur vdes, ashtu do të ringjallet në Ditën e Kiametit para Allahut, e kjo plakë vdiq në sexhde dhe në sexhde do të ringjallet para Allahut, Ditën e Kiametit, me lejen e Allahut!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • Pavarësisht humbjes së shikimit boshnjaku realizon makete të xhamive

    Pavarësisht humbjes së shikimit boshnjaku realizon makete të xhamive

    Mufid Kozlic, në qytetin Zenica në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili fillimisht ka humbur aftësinë e shikimit në njërin sy dhe më pas në syrin tjetër, i bën ballë jetës duke u mbërthyer pas punimeve me dru për të cilën ka pasur interes që në fëmijërinë e tij.

    Kozlic, ka shndërruar në punishte bodrumin poshtë shtëpisë së tij në fshatin Vukotici dhe me xhamitë prej druri që bën dhe i shet, ai ndriçon botën e tij e cila është e errët plotësisht prej 13 vitesh.

    Ai humbi 50 për qind të aftësisë së shikimit si pasojë e një guri që e goditi në syrin e djathtë gjatë kohës kur ai luante me shokët në moshën e shkollës së arsimit të mesëm të ulët (9 vjeçar). Ndërsa në moshën 25-vjeçare Kozlic humbi plotësisht aftësinë e shikimit në syrin e djathtë për shkak të këputjes së retinës.

    Pas luftës në Bosnje, Kozlic filloi të punojë në një punishte zdrukthëtarie dhe në vitin 2007 ai humbi aftësinë e shikimit edhe në syrin e majtë si pasojë e këputjes së retinës.

    Duke folur për Anadolu Agency (AA), 50-vjeçari Kozlic, vuri në dukje vështirësitë e mëdha që shkaktoi humbja në masë të madhe e shikimit tek njëri sy që në moshën e fëmijërisë. “Me njërin sy shikoja me tjetrin jo. Pavarësisht të gjitha vështirësive përfundova arsimin e mesëm të ulët (9 vjeçar) dhe nuk munda të vazhdoj më tej”, tha Kozlic.

    Kozlic, shpjegoi se për shkak të problemit në syrin e djathtë në atë periudhë nuk u pranua në shërbimin ushtarak, dhe se pas luftës në Bosnje dhe Hercegovinë (1992-1995) u martua dhe filloi të punojë si marangoz në një zdrukthëtari.

    Çdo gjë ndryshoi pas këputjes së retinës në syrin e majtë në vitin 2007, theksoi Kozlic, i cili tha se “Kam kryer 9 operacione. Asnjëri nuk pati dobi. Humba aftësinë e shikimit tek të dy sytë”.

    Ai u shpreh se ka qenë shumë e vështirë për të kalimi në një botë të errët nga një botë ku ai mund të shikonte kaltërsinë e qiellit, gjelbërsinë e pyjeve dhe shumë gjëra të tjera të bukura.

    “Për drurin kam pasur interes që në fëmijëri”

    Duke shpjeguar se për punimet me dru ka pasur interes që në fëmijëri, Kozlic, tha që “Unë e dua erën e drurit dhe realizimin e një objekti prej tij”.

    Është një proces shumë i vështirë që një person me aftësi të kufizuara në shikim të bëhet mjeshtër në punimet e drurit, deklaroi Kozlic, i cili shtoi se është krenar që tashmë është një mjeshtër në këtë punë të cilën e ka filluar duke përpunuar copa të vogla të drurit.

    “Kur humba shikimin, imazhet e gjërave që prekja i vizatova në mendjen time. Kur prek sharrën, çekiçin apo pincat imazhin e tyre e kodoj në trurin tim. Vetëm ngjyrat nuk mund t‘i ndiej”, tha Kozlic, i cili u shpreh se ka pasur mundësinë të njohë nga afër makineritë gjatë kohës kur punonte në punishten e zdrukthëtarisë para se të humbiste plotësisht aftësinë e shikimit.

    Duke shpjeguar se më parë ka bërë xhami prej druri, Kozlic njoftoi se “E di se si është kubeja dhe minarja e xhamisë. Ndërsa dyert dhe dritaret i përshtas sipas vetes time me aq sa mund të përdor makineritë”.

    Pasi tha se çdo gjë e bën me thikë prerëse para se të kalojë në makineri, Kozlic shtoi se “Në të vërtetë çdo gjë filloi si hobi. Qëllimi im ishte vetëm të merresha me diçka”.

    Detajet e largojnë nga mendimet negative

    Kozlic bëri të ditur se me kalimin e ditëve filloi të bëjë xhami më të bukura dhe se njerëzit shprehën dëshirën për t’i blerë këto xhami, gjë për të cilën tashmë ka nevojë për makineri për të përballuar porositë.

    Ai deklaroi se tashmë e ka shumë më të lehtë punën pasi një shok i tij nga jashtë vendit i ka dhuruar materiale vizatimi të përshtatshme me alfabetin Braille. “Disa relaksohen duke dëgjuar muzikë, disa duke shikuar televizor. Ndërsa unë relaksohem duke kaluar kohë në punishte”, tha Kozlic.

    Duke deklaruar se kurrë nuk e ka pyetur veten “pse?” lidhur me të kaluarën e tij, Kozlic u shpreh se “Kjo pyetje vetëm më prish psikologjinë. Kur ndodhem në punishte mendoj vetëm për detajet e xhamisë që kam përpunuar në dru. Se si të jenë muret? Si të duket minarja? Nuk kam kohë që të mendoj për gjëra të tjera”.

    “Ne personat me aftësi të kufizuara në shikim, mund të lexojmë edhe libra, mund edhe të shkruajmë dhe madje edhe mund të punojmë. Allahu na sprovon me ngjarje të ndryshme, por gjithashtu ofron edhe një zgjidhje për të gjitha”, tha Kozlic duke shtuar se shënimet e punës i regjistron në tru në vend të letrës.

  • Kryesia e BIK-ut pranoi një donacion nga Zyra e UNMIK-ut në Kosovë

    Në kuadër të bashkëpunimit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës me organizatat ndërkombëtare të pranishme në Kosovë, sot në emër të kësaj Kryesie, këshilltari i Myftiut Tërnava, Vedat ef. Sahiti ka pranuar nga Zyra e UNMIK-ut  një donacion që konsiston në një veturë të modelit Toyota Prado si dhe një makinë Shredder për prerje të letrave për nevojat e Bashkësisë Islame të Kosovës.

    Bashkësia Islame e Kosovës me këtë rast falënderon zyrën e UNMIK-ut në Kosovë.

  • “Bereqeti” në bashkëpunim me “Swiss Barakah” shpërndanë pako ushqimore në Podujevë

    Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” në bashkëpunim me shoqatën “Swiss Barakah” në Zvicër kanë shpërndarë 45 pako me produkte ushqimore së bashku me nga një palë këpucë. Përfitues të këtij aksioni kanë qenë familjet në nevojë në Podujevë, ku për shkak të pandemisë dhe stinës së dimrit gjendja e disa familjeve është rënduar.

    Kujtim Hyseni koordinator i “Bereqetit” në Podujevë thotë se ky aksion ka qenë më se i nevojshëm për t’iu dalë në ndihmë familjeve, e në veçanti në këtë kohë, ku për shumë familje është vështirësuar gjendja në kohën e pandemisë dhe në atë të dimrit.

    “Shoqata Humanitare Bamirëse ‘Bereqeti’ çdo herë është përkujdesur që t’iu gjendet pranë qytetarëve në nevojë e me gjendje ekonomike të rënduar, andaj edhe sot kemi filluar që të shpërndajmë 45 pako me produkte ushqimore së bashku me nga një palë këpucë. Vlen të përmendët që në kohën e pandemisë dhe gjatë stinës së dimrit kemi pasur kërkesa për ndihmë familje që më herët nuk kanë qenë të regjistruara si raste sociale, por që pandemia i ka goditur këto familje”, ka deklaruar Hyseni.

    Përfaqësuesi i “Bereqetit” Xheladin Fazliu, vlerëson lart bashkëpunimin me Swiss Barakahn me të cilën kanë bashkëpunuar në disa iniciativa.

    “Kjo ndihmë për familjet në nevojë në Podujevë vjen si bashkëpunim i mirë që ‘Bereqeti’ ka me simotrën e saj Swiss Barakah tash e disa vite, ku ky bashkëpunim i mirë po shihet edhe sot ku po iu ndihmohet 45 familjeve në nevojë. ‘Bereqeti’ gjithmonë do të mundohet të jetë afër këtyre familjeve ku vlen të falënderohet donatorët të cilët dita e ditës po i afrohen ‘Bereqetit’ e përmes kësaj edhe familjeve në nevojë”, ka potencuar ai.

    “Bereqeti” gjatë kohës së pandemisë dhe gjatë stinës së dimrit është përpjekur që falë donatorëve t’iu dalë në ndihmë sa më shumë familjeve me gjendje të rënduar ekonomike në forma dhe aspekte të ndryshme.