Author: KushtrimGuraj

  • LODHJA E SHPIRTIT

    LODHJA E SHPIRTIT

    Shejh Muhamed Husejn Jakupi, Allahu e ruajttë!, thotë:

    Nga njerëzit ka aso lloji që vjen dhe thotë: “Ndjehem tepër i lodhur!”

    Kur e pyet se ku qëndron problemi, ai të përgjigjet: “Nuk e di, më është ngushtuar shpirti!”

    E pyet se cila është arsyeja, por të përgjigjet: “Nuk e di, prekem shumë shpejt. Shpirti më është ngushtuar dhe më duket se ngulfatem.”

    E pyet: “A ke nevojë për të holla?”

    Ai të përgjigjet: “Jo, pasha Allahun, jo. Nuk e di se për çka bëhet fjalë, nuk janë në pyetje të hollat!”

    E pyet: “Mos ke ndonjë problem me gruan tënde?”

    Përgjigjet: “Jo, përkundrazi, ndjehemi shumë të lumtur mes veti.”

    E pyet: “Mos të janë sprovuar fëmijët me diçka?”

    Përgjigjet: “Jo, pasha Allahun. Ata janë shëndoshë e mirë.”

    E pyet: “Mos ke ndonjë problem në punë?”

    Përgjigjet: “Jo, çdo gjë është në rregull.”

    E pyet: “Mirë, atëherë kjo e tëra nga vjen?”

    Përgjigjet: “Nuk e di! Nuk e di! Nuk e di! Ndjehem i lodhur, shumë i lodhur!”

    Kjo lodhje, është lodhje e shpirtit. Ajo nga e cila ankohet ky njeri, nuk është trupi i tij, por shpirti i tij. Për këtë arsye i gjen pasuesit e epsheve dhe mëkatarët në vuajtje dhe dhembje. Nga gjynahet u shtohen pikat e zeza në zemër, e me atë u shtohet edhe pikëllimi, e nga pikëllimi u shtohet edhe dhembja, e nga dhembja u shtohet edhe shtrëngimi. 

    Shpirti nga brenda i bërtet, është i uritur dhe i etur, mirëpo nuk di se çfarë të bëjë. Për këtë arsye, ai hulumton gjëra materiale, në ushqim dhe në pije, në veshje dhe në qeshje, mirëpo të qeshurit e tij del vetëm nga goja, e jo nga zemra e tij.

    Shpirti ka nevojë për ilaç, i cili buron nga vendi prej nga ka ardhur vet shpirti dhe kjo: “… është çështje që i përket vetëm Zotit tim …”[1]

    Allahu i Madhëruar thotë: “Do të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim.””[2]

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1]              (El-Isra: 85)

    [2]              (Po aty)

  • Reçel limoni

    Reçel limoni

    Përbërësit

    2 kg sheqer

    2 kg limon

    2 bishtaja vanilje

    2 karafila

    1 filxhan çaji me ujë

    Udhëzimet

    Grijmë lehtë me rénde lëkurën e limonëve, derisa t’u hiqet cipa e verdhë që të mos e hidhërojë.

    Më pas i presim limonët hollë, pa forma të caktuara, dhe i shtypim pak me duar që t’u dalë lëngu (për reçelin nuk do të përdorim lëngun).

    I kullojmë dhe i vendosim copat e limonëve në tenxheren ku do t’i ziejmë. Shtojmë në të sheqerin, vaniljen, karafilin, ujin dhe i lëmë të ziejnë në temperaturën më të ulët për 3 orë.

    E heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet. E vëmë sërish në zjarr shumë të ulët ditën tjetër, derisa të trashet.

     

    • Për një mëngjes të shijshëm, shtojeni reçelin në kos të thjeshtë ose bollgur. Mbusheni me boronica të freskëta dhe arra të pjekura apo fruta të thata sipas dëshirës.
    • Për një antipastë të lehtë, shoqërojeni me djathë dhie dhe brusketa (crostini).
    • Për një pjatë të thjeshtë mëngjesi, mund ta shoqëroni me kulaç të ngrohtë.
    • Një tjetër alternativë fantastike mëngjesi është shoqërimi me petulla, fruta të freskëta dhe krem.
    • Përgatisni një pije të lehtë, si çaj i ftohtë, duke e përdorur reçelin në vend të sheqerit. Zbukurojeni me gjethe nenexhiku (mendër).
  • OKB: Të paktën 43 të vdekur nga fundosja e një barke me migrantë në ujërat e Libisë

    Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se të paktën 43 persona humbën jetën si rezultat i fundosjes së një barke me migrantë të parregullt në ujërat e Libisë në Detin Mesdhe, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Në një deklaratë të përbashkët me shkrim nga Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe Organizata Ndërkombëtare e Migracioninit (IOM), është shprehur shqetësim për marrjen e lajmit për fundosjen e barkës më 19 janar.

    Deklarata thekson se të paktën 43 migrantë të parregullt humbën jetën në “aksidentin e parë tragjik me barkë” në Mesdhe në vitin 2021. Po ashtu thuhet se dhjetë persona janë shpëtuar nga barka e fundosur dhe janë dërguar në breg nga ekipet e rojeve bregdetare të qytetit libian Zuvara.

    Siç raportohet, motori i barkës u ndal disa orë pasi ajo u nis nga qyteti Zaviye në orët e para të ditës së djeshme dhe u përmbys për shkak të kushteve të këqija të motit.

    Shumica e migrantëve të parregullt të shpëtuar janë nga Bregu i Fildishtë, Nigeria, Gana dhe Gambia dhe të gjithë të vdekurit ishin nga vendet e Afrikës Perëndimore, njoftohet më tej.

    Të dy institucionet e OKB-së i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar pas “aksidentit të fundit tragjik”, duke kërkuar një rishikim urgjent të qasjeve ndaj situatës në Mesdhe.

    Qindra migrantë të parregullt që u përpoqën të arrijnë në bregdetin evropian vdiqën në aksidente të ndryshme me barka në Mesdhe në vitin 2020.

  • Kadaif- 2 receta fantastike

    Kadaif- 2 receta fantastike

    Kadaifi është një ëmbëlsirë klasike shqiptare e përgatitur me brumë në fije, së cilës i shtohen shumë gjalpë, arra dhe kokrra në sherbet të trashë.

    Përbërësit

    1 kg kadaif ne fije
    1/2 kg arra të shtypura dhe të pjekura
    1/2 kg gjalpë pa kripë
    2 lugë kanellë

    Përbërësit për shurup

    1l ujë
    1.5 kg sheqer
    2 lugë lëng limoni

    Përgatitja e mbushjes

    Përzieni arrat me kanellën dhe lërini mënjanë.

    Në këtë pikë, ne mund të përgatisim kadaif në dy mënyra:

    1. KADAIF ROLE`

    Për të përgatitur rrotullën kadaifi, ndani kadaifi në fije në 24 pjesë (ose më shumë nëse doni copa më të vogla). Hapni secilën pjesë në një formë gjatësore, vendosni një lugë mbushje arre në mes dhe e rrokullisni në një role, duke i vendosur copat njëra pas tjetrës në një tigan të lyer me gjalpë. Spërkatni sipër gjalpin e mbetur përpara se ta fusni në furrë.

    2. KADAIF I SHTRUAR

    E ndajmë kadaifin në dy pjesë të barabarta. Së pari, përhapni gjysmën e kadaifit në tavën e lyer me gjalpë, hidhni të gjithë mbushjen e arrave, duke e shpërndarë në mënyrë të barabartë, dhe përhapni kadaifin e mbetur. Spërkatni sipërfaqen me gjalpin e mbetur para se ta fusni në furrë.

    Pjekja

    Piqeni në një furrë të parangrohur në 160 ° C për 50-60 minuta, ose derisa sipërfaqja të jetë bërë e artë. Lëreni të ftohet plotësisht para se të shtoni shurupin.

    Shurupi

    Vendoseni në një tenxhere, sheqer dhe lëng limoni. Ziejeni atë për saktësisht 7 minuta nga fillimi i zierjes së shurupit, duke e përzier në mënyrë që sheqeri të shkrihet plotësisht. Pas kësaj, ne hedhim lugë kadaifin tashmë të ftohtë derisa të thithë të gjithë shurupin. Lëreni atë brenda natës ose 8-10 orë në mënyrë që të siguroheni që i gjithë shurupi të absorbohet nga kadaifi. Më pas shërbejeni të ndarë në copa.

  • MOS I MBYLL TË GJITHA DYERT!

    MOS I MBYLL TË GJITHA DYERT!

    Suhejl ibën Amru, Allahu e mëshiroftë!, së bashku me gruan e tij ishin në udhëtim. Gjatë rrugës u ballafaquan me disa plaçkitës, të cilët ua morën të gjitha të hollat dhe ushqimin që e kishin me vete.

    Pas vjedhjes plaçkitësit ulen të hanë nga ushqimi që e vodhën, kurse Suhejlit ia tërhoqi vëmendjen udhëheqësi i plaçkitësve: ai nuk ishte ulur me tjerët të hajë. I habitur i tha:

    – E ti pse nuk ha së bashku me ta?!

    Ia kthehu:

    – Agjëroj.

    Suhejli mbeti i habitur dhe i tha:

    – Vjedh dhe agjëron?!

    Iu përgjigj:

    – Unë e lë një derë mes meje dhe mes Allahut, me shpresë se ndonjë ditë do të hy në të.

    Një apo dy vjet pas ndodhisë, Suhejli po të njëjtin njeri e pa në Haxh, ishte kapur për mbulesën e Qabesë dhe ishte bërë njeri asket dhe adhurues i madh. Ky njeri i penduar, kur e pa Suhejlin e njohu menjëherë dhe i tha:

    – A e mësove se kush e lë një derë mes tij dhe mes Allahut, një ditë nga ditët do të hyjë në të.

    O biri i Ademit, i mjeri ti nëse i mbyllë të gjitha dyert mes teje dhe mes Allahut! Edhe nëse je mëkatar dhe gjynahet të kanë mbuluar, do të vijë dita kur ndoshta një derë do t’i hapë të gjitha dyert e tjera.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • Kosovë, tre xhami të dëmtuara dhe një e rrënuar tërësisht si pasojë e vërshimeve të 11 janarit

    Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila njoftoi se ka themeluar një komision të përkohshëm të përbërë të cilët kanë vizituar dhe inspektuar xhamitë e përmbytura nga vërshimet për vlerësimin e dëmeve në objektet fetare-xhami

    Tre xhami janë dëmtuar dhe një është rrënuar tërësisht në territorin e Kosovës si pasojë e vërshimeve që ndodhën pas reshjeve të shiut dhe borës javën e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Këto të dhëna i bëri të ditur Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila ka themeluar një komision të përkohshëm të përbërë nga tre anëtarë të kësaj bashkësie, të cilët kanë vizituar dhe inspektuar xhamitë e përmbytura nga vërshimet për vlerësimin e dëmeve në objektet fetare-xhami.

    “Nga vërshimet dhe përmbytjet e datës 11 janar 2021 u konstatua se janë dëmtuar xhamia e fshatit Konjuh, xhamia e fshatit Banullë të Lipjanit, së bashku me objektet përcjellëse, xhamia e fshatit Vojnoc (Zotaj) të komunës së Shtimes, si dhe xhamia e vjetër e fshatit Livoq i Epërm, në komunën e Gjilanit, e cila si pasojë e vërshimeve është rrënuar tërësisht”, njofton BIK.

    Sipas BIK-ut, xhamitë e vërshuara nga uji, me përjashtim të xhamisë së vjetër të fshatit Livoq i Epërm, vazhdojnë të jenë funksionale pas tërheqjes së ujit, derisa për pjesët e dëmtuara u vendos që në bashkëpunim me këshillat përkatëse dhe me ndihmën e xhematit të sanohen dëmet në afatin sa më të shpejtë të mundshëm.

    Gjithashtu, BIK sugjeron që në bashkëpunim me organet kompetente komunale të gjendet sa më shpejtë një zgjidhje për rregullimin e infrastrukturës, “me qëllim që rastet e tilla të depërtimit të ujit në xhami të mos përsëriten në të ardhmen”.

    Vërshimet që ndodhën javën e kaluar si shkak i reshjeve të pandërprera, prekën disa rajone të territorit të Kosovës. Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili ka vizituar po ashtu nga afër disa nga zonat më të dëmtuara, ka theksuar qeveria do të evidentojë dëmet e bëra në pronën publike dhe private ndërsa do bëjnë përpjekje që të kompensojnë familjet që janë në kushte më të vështira jetese.


  • Jeta e përditshme e migrantëve në BeH, larja në ujë të ftohtë me temperatura nën zero

    Një ditë e migrantëve të vendosur në kampin “Lipa” jo shumë larg Bihaçit të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) fillon me larjen e rrobave dhe shpërlarjen e tyre në ujin e ftohtë të një përroi aty afër.

    Tashmë në orët e hershme të mëngjesit, grupe migrantësh nga kampi lëvizin përgjatë rrugës së ngrirë drejt përroit, të mbështjellë me batanije dhe në duart e tyre me sendet themelore për higjienë personale.

    Afër përroit jo shumë larg kampit, ekipi i Anadolu Agency (AA) regjistroi pamje që pasqyrojnë gjendjen e migrantëve në ditët e ftohta të dimrit në BeH. Reflektimi i trishtuar i Lavli Pasin në një pasqyrë prej vetëm disa centimetra në një kornizë plastike të kaltërt flet shumë më tepër sesa fjalët.

    Ky indian 40-vjeçar ka qenë në BeH për një vit. Qëllimi i tij, siç tha ai për AA, është të arrijë në Bashkimin Evropian (BE), konkretisht në Itali. Ai nuk dëshiron të qëndrojë në BeH.

    Ndërsa Amun Amed nga Bangladeshi ka qenë në BeH për rreth tre muaj. Ai është 25-vjeçar dhe dëshiron të arrijë në Itali ose Francë. Edhe ai, siç tha, iu drejtua përroit ku do të lahej me shpresën se nuk do të ketë pasoja për shëndetin e tij.

    Situata në kampin “Lipa” prej ditësh nuk ka ndryshuar. Ekipet e gazetarëve nuk kanë qasje në çadrat e Forcave të Armatosura të BeH-së, të vendosura pas zjarrit të fundit ku u dogjën çadrat në të cilën migrantët deri atëherë qëndruan.

    Kolonat e njerëzve të mbështjellë me batanije nga kampi lëvizin drejt përroit aty pranë dhe mbrapa, ndërsa nga disa vende ngrihet tym nga zjarri i ndezur për ngrohje pas larjes në ujin e ftohtë ose përgatitjes së vakteve. Temperaturat në këtë zonë jo larg Bihaçit, arrijnë deri në 15 gradë celsius nën zero gjatë natës.

    Funksionaliteti i plotë i kampit, siç është paralajmëruar më herët, pritet për rreth tre muaj. Në kampin “Lipa” qëndrojnë mbi 700 migrantë. BE, kufijtë e së cilës janë mbyllur për migrantët, më parë lëshuan paralajmërim ndaj BeH-së për shkak të menaxhimit të keq të krizës me migrantët.

    Autoritetet lokale disa herë kanë kërkuar shpërndarjen e barabartë të barrës së krizës me migrantët në rajonin e mbarë BeH-së, si dhe forcimin e kontrollit të kufirit lindor.

  • IMAMI I XHAMISË DHE VOZITËSI I AUTOBUSIT

    IMAMI I XHAMISË DHE VOZITËSI I AUTOBUSIT

    Para disa viteve, imami i një nga xhamive të qytetit u transferua në qytetin e Londrës dhe në javët e para të shpërnguljes së tij, udhëtonte me autobus nga shtëpia e vet e deri në qytetin tjetër.

    Një ditë, pasi që hipi në autobus dhe e pagoi çmimin e biletës, u ul dhe e vërejti se vozitësi i autobusit ia kishte kthyer disa të holla më tepër. Mendoi imami dhe tha në vete se duhet patjetër t’ia kthejë këto të holla se nuk ishin të tij. Edhe një herë mendoi në vete dhe vendosi që më mirë ta harrojë këtë çështje dhe të mos ia kthejë të hollat, sepse ato ishin pak dhe askujt nuk do t’i interesojë për to, e sidomos kur dihet se kompanitë e autobusëve marrin shumë të holla nga shitja e biletave. Pra, më mirë t’i mbajë dhe t’i konsiderojë si dhuratë nga ana e Allahut dhe të heshtë.

    Autobusi u ndal te stacioni që e dëshironte imami, mirëpo para se të zbresë, u ndal një çast, e nxori dorën nga xhepi, ia dha shoferit të hollat dhe i tha:

    – Urdhëro, më ktheve më shumë të holla se sa duhej!

    Shoferi i mori të hollat, buzëqeshi dhe e pyeti:

    – A je ti imami i ri në këtë rajon? Unë ka kohë që mendoj të vij te xhamia juaj, që ta njoftoj Islamin dhe të hollat më tepër t’i dhashë me qëllim që ta shoh se si do të sillesh me to.

    Imami kur zbriti nga autobusi ndjeu dobësi në këmbët e tij dhe vetëm se nuk u rrëzua për toke, por fatmirësisht u mbajt për shtyllën më të përafërt që e kishte. Shikoi kah qielli dhe u lut duke qarë: “O Zot, për pak sa nuk e shita Islamin për disa të holla!”

    Të dashur miq, qëllimi i rrëfimit është që të përçojë vetëdijesim deri te ne për veprat tona, sepse asnjëherë nuk i shohim mendimet dhe qëndrimet e të tjerëve për atë që e veprojmë. Kjo është arsyeja që duhet të na stimulojë të jemi të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm dhe të jemi të sinqertë në to, sepse nuk e dimë se kush i përcjellë sjelljet tona, e pastaj mund që njerëzit, e në veçanti jobesimtarët, të gjykojnë mbi ne si mysliman në përgjithësi e jo si individë, apo të gjykojnë mbi Islamin si fe.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • Turli tavë Dimërore- Një përgatitje fakntastike

    Turli tavë Dimërore- Një përgatitje fakntastike

    Një recetë fantastike, ideale për t’u shijuar sidomos kur koha bën ftohtë.

    Kjo gjellë shije plotë jo vetëm që ngop organizmin por i jep atij fuqi dhe energji.

    Përgatitja e Turlisë Dimërore

    Përbërësit

    400-500 gr mish tul viç

    1 kokërr qepë

    3-4 patate mesatare

    2 presh ( vetëm pjesa e bardhë)

    3-4 karrota

    1 filxhan çaji me bizele

    2-3 lugë gjelle me salcë domatesh

    Kripë

    1 gjethe dafinë

    Rigon (sipas dëshirës)

    Vaj ulliri

    Përgatitja

    Si fillim,  qëroni mirë karrotat dhe patatet dhe t’i ndani në kubikë të mëdhenj.

    Patatet ndajini në katër pjesë nëse janë mesatare dhe në gjashtë pjesë nëse janë të mëdha.

    Ndërsa karrotat prijini në rrathë rreth 2 cm, të njëjtën gjë bëni edhe me pjesën e bardhë të preshit.

    Pastroni mishin dhe prijeni në kubikë jo të vegjël.

    Kalojeni në një tenxhere me vaj ulliri dhe kaurdiseni nga të dyja anët.

    Në vijim, shtoni salcën e domates, kaurdiseni dhe më pas shtoni qepën e grirë hollë, kaurdiseni për pak minuta e më pas shtoni karrotat, patatet dhe preshin.

    Në fund shtoni bizelet, përzjeini të gjitha bashkë, shtoni kripën, gjethen e dafinës dhe rigonin nëse dëshironi shijen e tij.

    Shtoni ujë derisa të gjithë përbërësit në tenxhere të mbulohen por jo plotësisht dhe lëreni gjellën të ziejë në zjarr të ngadaltë derisa mishit ë zbutet plotësisht dhe turlia të mbetet me pak lëng.