Author: KushtrimGuraj

  • Lëngu i karrotave me portokalle – Fuqia e vlerave

    Lëngu i karrotave me portokalle – Fuqia e vlerave

    Në këtë artikull të AgroWeb.org do të keni mundësinë të merrni informacione të sakta mbi vlerat e kombinimit të lëngut të karrotës dhe portokallit.

    Vitamina C

    Nëse përfshini lëngun e karrotës dhe portokallit në dietën tuaj, do të plotësoni dozën e rekomanduar ditore të vitaminës C.

    Një gotë normale me lëng të nxjerrë nga një sasi e barabartë karrotash dhe portokallesh ku mund të shtoni edhe pak panxhar përmban 85 përqind e dozës së rekomanduar ditore të kësaj vitamine për femrat dhe 71 përqind për meshkujt.

    Vitamina C forcon prodhimin e kolagjenit dhe ndihmon në prodhimin e energjisë.

    Vitamina A

    Një racion i lëngut të karrotës dhe portokallit është një burim i shkëlqyer i vitaminës A.

    Në çdo gotë do të gjeni përafërsisht 508 përqind të dozës së rekomanduar për meshkujt dhe 652 përqind të asaj të rekomanduar për femrat.

    Vitamina A ndihmon në zhvillimin e indeve, ruan shëndetin e sistemit imunitar, qelizat e kuqe të gjakut dhe lëkurën.

    Kjo vitaminë mbështet funksionet e retinës së syrit dhe përmirëson shikimin.

    Folati

    Lëngu i karrotës dhe portokallit ofron folat, ose vitaminën B-9 që ndihmon në metabolizmin e acideve nukleike dhe amino acideve, përbërës që janë pjesë e ADN-së dhe proteinës.

    Një dietë e pasur me folat e bën jetën tuaj më të gjatë.

    Folati mbron kundër difekteve në lindje dhe komplikimeve të tjera tek femrat shtatzënë.

    Një gotë normale me lëng karrote dhe portokalli përmban 146 mikrogram folat ose 37 përqind të dozës së rekomanduar ditore.

    Vlera të tjera

    Pirja e lëngut të karrotës dhe portokallit ofron ushqyes të tjerë të dobishëm për qarkullimin e gjakut. Ky lëng përmban 732 miligramë kalium, ose 16 përqind të dozës së rekomanduar ditore.

    Kaliumi ul tensionin e gjakut dhe ndjeshmërinë ndaj ndikimit të kripës në rritjen e tensionit.

    Jeni në kërkim të një recete të thjeshtë dhe të shijshme të cilën mund ta ndani me të gjithë familjen?

    Karrotat dhe portokallet, në sasi të barabarta, funksionojnë mirë së bashku dhe janë një burim i shkëlqyer i vitaminës C e cila ndihmon organizmin të përthithë më mirë hekurin.

    Të dyja ofrojnë beta karoten që kthehet në vitaminë A dhe ju ndhmon të keni një paraqitje rinore nëpërmjet sasive të larta të kolagjenit dhe sistemit të fuqizuar imunitar.

    Përbërësit:

    • 2 Karrota
    • 2 Portokalle

    Qërojini portokallet dhe shtoni të gjithë përbërësit e tjerë në shtrydhësen e frutave.

    Receta e lëngut të karrotës, portokallit dhe xhenxhefilit

    Koha e nevojshme: 5 minuta
    Racionet: 2

    Përbërësit

    • 6 karrota
    • 1 portokall
    • 1 copë xhenxhefil
    • 1 kastravec nëse dëshironi

    Udhëzimet

    Pasi keni qëruar portokallet dhe larë karrotat, shtoni të gjithë përbërësit në shtrydhësen e frutave.

    Nëse dëshironi mund të qëroni edhe kastravecin dhe xhenxhefilin. Përzijeni lëngun dhe pijeni menjëherë që të mos lejoni oksidimin e tij.

  • Shefi i OKB-së: Makthi në Gaza tani po hyn në vitin e dytë mizor dhe të neveritshëm

    Shefi i OKB-së: Makthi në Gaza tani po hyn në vitin e dytë mizor dhe të neveritshëm

    Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu shqetësimin e tij për krizat e përshkallëzuara humanitare dhe politike në Rripin e Gazës dhe Liban, ndërsa dënoi shkeljet e ligjit ndërkombëtar, raporton Anadolu.

    “Makthi në Gaza tani po hyn në një vit të dytë mizor dhe të neveritshëm. Ky ka qenë një vit krize. Krizë humanitare. Krizë politike. Krizë diplomatike dhe një krizë morale”, tha Guterres në një konferencë shtypi në selinë e OKB-së në New York.

    Rripi i Gazës “është kthyer në pikën zero në një nivel vuajtjeje njerëzore që është e vështirë për t’u kuptuar”, tha ai dhe vuri në dukje se më shumë se 41.000 palestinezë janë vrarë, shumica dërrmuese e tyre gra dhe fëmijë, me mijëra të tjerë të zhdukur dhe që besohet se kanë mbetur nën rrënoja.

    “Unë dënoj fuqishëm të gjitha shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar në Gaza”, tha ai.

    Guterres theksoi rolin e domosdoshëm të Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë (UNRWA) në Gaza, ndërsa paralajmëroi për pasojat e mundshme të një projektligji izraelit për të kufizuar operacionet e agjencisë.

    “Një masë e tillë do të mbyste përpjekjet për të lehtësuar vuajtjet njerëzore dhe tensionet në Gaza, dhe në të vërtetë, në të gjithë Territorin Palestinez të pushtuar. Do të ishte një katastrofë në atë që tashmë është një fatkeqësi e palehtësuar”, tha ai.

    Javën e kaluar, Knesseti (parlamenti i Izraelit) avancoi një projektligj për të hequr imunitetin dhe privilegjet e dhëna UNRWA-së, në një lëvizje të parë nga palestinezët dhe OKB-ja si pjesë e një fushate izraelite për të shpërbërë agjencinë e OKB-së.

    Sekretari i Përgjithshëm paralajmëroi gjithashtu për një konflikt të përshkallëzuar në Liban që kërcënon të përfshijë rajonin.

    “Jemi në prag të një lufte gjithëpërfshirëse në Liban – me pasoja tashmë shkatërruese”, tha ai, duke përmendur sulmet në shkallë të gjerë izraelite që kanë vrarë më shumë se 2.000 viktima në Liban dhe kanë zhvendosur mbi 1 milion.

    Guterres theksoi gjithashtu se “sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet”

  • BE-ja mirëpret vendimin e Kosovës për heqjen e kufizimit për produktet serbe në Merdarë

    BE-ja mirëpret vendimin e Kosovës për heqjen e kufizimit për produktet serbe në Merdarë

    Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimeve për hyrjen e produkteve të gatshme nga Serbia, të cilat hyjnë në pikën kufitare në Merdare, transmeton Anadolu.

    Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Zyra e BE-së në Kosovë tha se ky vendim është “në të mirën e njerëzve dhe të bizneseve”.

    “Mirëpresim heqjen e kufizimeve për hyrjen e produkteve të gatshme serbe në Kosovë përmes Merdares. Tregtia e lirë e mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s, është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili është pjesë integrale e Planit të Rritjes”, thuhet në reagim.

    Qeveria e Kosovës të hënën vendosi ta heqë kufizimin ndaj mallrave nga Serbia dhe ta ndryshojë atë me kontroll të shtuar në pikën kufitare në Merdare dhe jo në pikat e tjera kufitare me Serbinë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim u mor derisa të vijnë skanerët të cilët do të vendosën në pika kufitare.

    “Në 7 ditët në vijim i kemi dy zhvillime të ndryshme, pasnesër është mbledhja e CEFTA-s, ndërsa sot një javë është në Procesin e Berlinit. Masat tona nuk kanë qenë dhe nuk janë asnjëherë tregtare, janë masa të sigurisë. Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare. Në njërën prej pikave tregtare po e bëjmë këtë ndryshim të masës”, tha Kurti të hënën.

    Në javët e fundit, përfaqësues nga Gjermania konsideruan se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Procesin e Berlinit, i cili synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor duke i afruar ato me BE-në.

    Reagime rreth këtij vendimi ka pasur edhe nga Serbia. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën se pret që autoritetet e Kosovës të “bëjnë më të mirën” për të parandaluar qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve serbe, pavarësisht heqjes së ndalesës për produktet serbe në pikëkalimin kufitar në Merdare. Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se mirëpret secilin vendim, që, sipas tij, përmirëson jetësen e serbëve në Kosovë.

    Kosova ka ndalur importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë, vitin e kaluar.

  • Erdogan do të jetë i pranishëm në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë

    Erdogan do të jetë i pranishëm në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë

    Komuniteti Mysliman Shqiptar ka dhënë detaje të ceremonisë së inaugurimit të Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, që do të bëhet të enjten.

    Në këtë eveniment të madh pritet të marrin pjesë kryeministri Edi Rama dhe presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan.

    Sipas njoftimit zyrtar, ceremonia do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja, i cili do të drejtojë gjithashtu bordin e fondacionit të përbashkët, që do të administrojë xhaminë në vijim. Ndërkohë, kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, nuk do të jetë i pranishëm.

    Xhamia e Namazgjasë konsiderohet një ëndërr e realizuar për besimtarët myslimanë shqiptarë.

    Kjo vepër është bërë e mundur falë ndihmës së shtetit turk dhe mbështetjes së presidentit Erdogan, si dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare nën drejtimin e kryeministrit Rama.

    Kryeministri shqiptar ka ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve të pronësisë për truallin ku është ndërtuar xhamia.

    Në njoftimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, shprehet falënderim i veçantë për bashkëpunimin mes qeverive shqiptare dhe turke, i cili ka qenë vendimtar në realizimin e kësaj vepre.

    Xhamia e Namazgjasë nuk do të jetë thjesht një vendfalje, por një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë qytetarëve dhe turistëve./Telegrafi/

  • NGA BIOGRAFITË DHE JETËSHKRIMET E HAFËZËVE

    NGA BIOGRAFITË DHE JETËSHKRIMET E HAFËZËVE

    Myslimani vetvetiu e di vlerën e nxënies përmendsh të Kuranit dhe pozitën e lartë të hafëzit. Grumbullimi i argumenteve dhe i vlerave veç e forcojnë dhe e shtojnë këtë botëkuptim.

    Kur këtyre u shtohen shembuj të gjallë dhe praktikë, atëherë shtohet edhe më tepër bindja e njeriut për aftësinë e tij, për ta shndërruar këtë botëkuptim në realitet të prekshëm. Dëshminë më të mirë për këtë që po e them e gjejmë në Kuran dhe në Sunet, aty janë përmendur rrëfime dhe shembuj të ndryshëm për të marrë mësime dhe udhëzime.

    Shembujt që do t’i përmend në vazhdim nga jetëshkrimi dhe biografitë e hafëzëve, shpresoj të bëhen udhërrëfim dhe model për të rinjtë.

    – Nga jetëpërshkrimi i të rinjve:

    Amër ibn Seleme , edhe pse i ri në moshë, interesohej shumë ta mësonte Kuranin. I priste udhëtarët që ktheheshin prej te Pejgamberi, alejhi selam, u shkonte afër dhe dëgjonte prej tyre atë që kishin mësuar nga Kurani. Për një kohë të shkurtër u bë më i miri te fisi i tij, saqë e angazhuan imam të tyre në namaz. Ai e tregon rastin e tij dhe thotë: “Në vendin ku jetoja kalonin udhëtarët që ktheheshin prej Pejgamberit, alejhi selam. U shkoja afër, e dëgjoja prej tyre Kuranin, derisa mësova diçka prej tij. Njerëzit e prisnin çlirimin e Mekës që të deklaroheshin për Islamin e tyre dhe, kur erdhi koha, shkonte ndonjëri prej tyre te Pejgamberi, alejhi selam, dhe i thoshte: ‘O i Dërguari i Allahut, unë jam nga delegacioni i filan fisit, erdha të lajmëroj për Islamin e tyre. Një ditë shkoi babai im ta lajmëronte Pejgamberin, alejhi selam, për Islamin e fisit të vet dhe, kur u kthye, u tha që Pejgamberi, alejhi selam, i kishte thënë atij: ‘Le t’ju prijë në namaz ai që di më shumë prej Kuranit.’ Njerëzit filluan të shikonin se kush dinte më shumë Kuran, nuk gjetën dikë tjetër që dinte më shumë Kuran se unë. Më dhanë përparësi t’u prija atyre në namaz edhe pse në moshë isha shumë i ri.”[1]

    Kur një i ri sot e lexon shembullin e lartpërmendur, ka për t’u mahnitur me këtë sahab se si kujdesej ta mësonte përmendsh Kuranin dhe ta studionte atë, edhe pse nuk i kishte mjetet dhe mundësitë që i kemi sot. Nuk kishte as incizime apo mësues të Kuranit që ia kushtonin kohën vetëm atij, madje as Kurani nuk ishte i përmbledhur në Mus’haf që ta kishte më të lehtë për lexim dhe mësim. Megjithatë arriti deri në atë shkallë saqë e caktuan imam të fisit të vet.

    Të njëjtin kujdes e shohim te Zejd ibn Thabiti. Fisi i tij shkonin te Pejgamberi, alejhi selam, dhe krenoheshin me të arriturat e Zejdit. Rreth asaj që ndodhi tregon Zejdi dhe thotë: “Fisi im i thanë Pejgamberit, alejhi selam: ‘Ky djalosh është nga fisi Beni Nexhar, i di përmendsh mbi dhjetë sure nga Kurani që ty të zbriti.’ Pejgamberit, alejhi selam, i erdhi mirë ky fakt dhe tha: ‘O Zejd, mësoje shkrim-leximin e gjuhës hebreje, se, pasha Allahun, nuk u besoj çifutëve kur i shkruajnë letrat që i drejtoj te paria e tyre.’ Kështu, e mësova shkrim-leximin e gjuhës hebreje për pesëmbëdhjetë net dhe e përvetësova atë, e më pas ia lexoja letrat Pejgamberit, alejhi selam, që ia dërgonin çifutët dhe i ktheja ato nëse Pejgamberi, alejhi selam, e kërkonte atë.”[2]

    Një i ri tjetër, madje sa i kishte kaluar të dhjetat, quhej el-Bera ibn Azibi h. Ai thoshte: “Derisa emigroi te ne Pejgamberi, alejhi selam, në Medinë, unë i pata mësuar disa nga suret e shkurtra (prej sures Kaf e deri në fund të Mus’hafit).”[3]

    Abdusamed ibn Abdurrahman ibn Ebu Rexha el-Belviju (vdiq, më 619 h.), e kishte lexuar përmendsh Kuranin para babait të tij. Po ashtu, lexoi me babanë e tij një numër të konsiderueshëm të librave. Kur u bë diku dhjetëvjeçar, babai i ndërroi jetë.[4]

    Alij ibn Hibetullah el-Xhumejziju (vdiq më 649 h.) u bë hafëz në moshën dhjetëvjeçare.[5]

    Mexhdudin Ebu Berekat ibn Tejmije (vdiq më 652 h.) mori dije dhe e mësoi përmendsh Kuranin te mixha i tij, Hatib Fahrudini, më pas, së bashku me djalin e mixhës, Sejfudinin, që ishte në moshën e adoleshencës, u nisën për të kërkuar dije.[6]

    Zejd ibn Hasen Taxhudin el-Kindiju (vdiq më 613 h.) e lexoi përmendsh Kuranin para dijetarit Ebu Muhamed Sibt el-Hajati kur i kishte veç shtatë vjet. Imam Dhehebiu thotë që është rast i rrallë, dhe fakti që e karakterizoi ishte se i lexoi dhjetë kiraetet (llojet e leximeve) duke qenë dhjetë vjeç.[7]

    Ebu Shame (vdiq më 665 h.) e mësoi përmendsh Kuranin kur ishte i vogël, ndërsa kiraetet i përfundoi te hoxha i tij es-Sahaviju dhe të tjerët, kur i kishte shtatëmbëdhjetë vjet.[8]

    Ebu Bekr el-Miksatiju (vdiq më 713 h.) u bë hafëz i Kuranit para se t’i mbushte të njëzetat.[9]

    Hamza ibn Habibi (vdiq më 158 h.) thotë për veten e tij: “Linda në vitin tetëdhjetë hixhrij, ndërsa u bëra hafëz i Kuranit kur i kisha pesëmbëdhjetë vjet.”[10]

    Halef ibn Hisham ibn Thalebi (vdiq më 229 h.) doli prej Bagdadit kur i kishte nëntëmbëdhjetë vjet dhe nuk kishte në Bagdad hafëz më të mirë se ai.[11]

    Mekij ibn Ebu Talibi (lindi më 355 h.), lexoi përmendsh Kuranin me gjithë kiraetet para hoxhës së tij, Ibn Galbuni, në vitin 376 hixhrij, d.m.th kur i kishte njëzet e një vjet.[12]

    Ebu Alij el-Ehvaziju (lindi më 362 h.), u dallua qysh në fëmijëri me transmetimet e leximeve të Kuranit. Lexoi përmendsh Kuranin para hoxhës së tij, Kalunit, në vitin 378 hixhrij, kur i kishte gjashtëmbëdhjetë vjet.[13]

    Ebu Bekr Nakashi (lindi më 266 h.) u dallua prej fëmijërisë për leximet e Kuranit. E lexoi Kuranin te hoxha i tij Hasen ibn Abas er-Raziju në vitin 275, pra kur i kishte nëntëmbëdhjetë vjet.[14]

    Njëri prej tyre ishte edhe imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë! Hoxha i tij Jasin ibn Jusuf el-Merakeshiju tregon: “E takova imam Neveviun kur ishte dhjetëvjeçar. Fëmijët e tjerë e urrenin, nuk donin të loznin me të. Kjo situatë e mërziste, prandaj largohej anash dhe qante. Nga mërzia lexonte Kuran. Këto imazhe më çuan ta dua. Babai tij e kishte lënë të punonte në dyqan, por ai nuk kishte interes për shitblerje, dëshira e tij ishte leximi i Kuranit. Shkova te mësuesi i tij e porosita me këto fjalë: Shpresohet që ky fëmijë të jetë dijetari dhe asketi më i madh i kohës së tij dhe njerëzit të përfitojnë prej tij. Më tha: ‘Ti a fallxhor më je?’ I thashë: Jo, por intuita ime më thotë që ky fëmijë do të ketë nam të madh me lejen e Allahut. Mësuesi shkoi i tregoi prindit të tij, i cili pas kësaj porosie e shtoi kujdesin për të, derisa imam Neveviu e përfundoi nxënien përmendsh të Kuranit dhe arriti ta realizonte ëndrrën, me lejen e Allahut.”[15]

    Kur i riu qëndron përpara këtyre shembujve, i shtohen aspiratat dhe vullneti. Ai do t’i bashkëngjitet karvanit të tyre, saqë kur e kap Kuranin i duket sikur jeton në të njëjtën kohë dhe janë në të njëjtin ambient. Pra, kush e do një popull, me ta do të ringjallet në Ditën e Kiametit dhe kush i përngjason një populli, ai është prej tyre.

    Në këtë rast, i riu i thotë vetes: Sa dallim i madh unë që i marr për shëmbëlltyrë dhe i pasoj këta hafëzë dhe moshatarët e mi të cilët u sprovuan me ndjekjen e yjeve të dëfrimit dhe tw së kotës?

    – Shembuj prej hafëzëve bashkëkohorë:

    Shembujt nga gjeneratat e mëhershme janë shumë, e ndoshta përmendja e disa prej shembujve bashkëkohorë ia shton edhe më tepër të riut euforinë. E sheh se moshatarët e tij të së njëjtës kohë arritën të bëheshin hafëzë, që kjo më tepër t’ia shtojë euforinë dhe vetëbesimin për aftësitë e tij.

    Prej bashkëkohorëve është dijetari Zejd el-Fejadi, Allahu e mëshiroftë, i cili u bë hafëz kur ishte dhjetëvjeçar. Pak më vonë, në moshën dymbëdhjetëvjeçare e lexoi përmendsh Kuranin para hafëzëve.[16]

    Isha anëtar i komisionit për testimin e hafëzëve të Kuranit te një shoqatë humanitare e Kuranit. Në mesin e konkurrentëve ishte një i ri hafëz, ende nuk i kishte kaluar të dhjetat. Prej tij kërkova të lexonte përmendsh në disa vende që hafëzët futen në siklet dhe e kanë rëndë, por ky djalosh ia doli të lexonte pa gabim në asnjë shkronjë. Madje në mesin e konkurrentëve ishte një tjetër fëmijë shtatëvjeçar hafëz i Kuranit.

    Një i ri tjetër dymbëdhjetëvjeçar, hafëz i Kuranit, aq shumë ishte i përpiktë në hifzin e tij, saqë e dinte përmendsh çdo ajet me numër rendor.

    Revista “El-Usra (Familja)” e kishin intervistuar një fëmijë tetëvjeçar, hafëz te Kuranit, i cili jetonte në Emiratet e Bashkuara Arabe.[17]

    Ditëve të sotme kurset për ta mësuar Kuranin i gjejmë gati në çdo qytet dhe fshat. Prej aty dolën shumë të rinj hafëzë, madje disa prej tyre duke qenë ende në shkollë fillore. Për këtë, falënderimi i takon vetëm Allahut!

    Shembuj ka sa të duash, por ajo kryesorja është që të gjithë ata te ne përçojnë shpresë dhe na japin ndjenjën e sigurisë se jemi të aftë ta arrijmë synimin tonë.

    – Në jetëshkrimin e të moshuarve ka mësime:

    Nxënia përmendsh e Kuranit në përgjithësi nis në fëmijëri. Prandaj, disa të rinj, pasi nuk kanë mësuar në fëmijëri, mendojnë se treni u ka ikur dhe u ka kaluar një pjesë e jetës pa mësuar gjë përmendsh prej Kuranit. Por jetëshkrimi i disa të moshuarve që në moshë të thyer u bënë hafëzë, mbetet të jetë shtytës i madh për këta të rinj që mos ta humbin vullnetin.

    Pejgamberi m ishte dyzetvjeçar kur i erdhi shpallja dhe i zbriti Kurani. Po ashtu, kishte prej sahabëve që ishin moshatarë të tij, madje edhe më të vjetër se ai, dhe një numër i madh prej tyre u bënë hafëzë në moshë të thyer.

    Përcillet për dijetarin Ibn el-Xheuzije, Allahu e mëshiroftë, se në moshën tetëdhjetëvjeçare e lexoi përmendsh Kuranin me dhjetë kiraetet.

    Kur isha i vogël, me ne në xhami te grupi ynë i Kuranit vinte një plak. Ende e mbaj në mend pamjen e tij, ishte i verbër, mjekra e tij nuk kishte as një qime të zezë dhe kur ecte mbahej për shkopin e tij. Mësuesi i Kuranit më angazhoi mua të merresha me të. Unë lexoja i pari e ai e përsëriste pas meje. Të jem i sinqertë nuk kisha shumë dëshirë të merresha me të, sepse më kushtonte shumë kohë. Ai kishte aftësi të mësonte një faqe në ditë, kështu unë lexoja i pari, e ai e përsëriste pas meje. Nuk i duhej shumë kohë ta mësonte dhe ta përvetësonte mirë këtë faqe. Pastaj vinte të nesërmen dhe vepronim njëjtë. Pas një kohe filloi të mungonte. U interesova për të dhe njerëzit më treguan se kishte ndërruar jetë. Allahu e mëshiroftë!

    Rasti i tij e portretizon ambicien e lartë të tij që ajo e nxiste në këtë moshë të shtyrë, ku eshtrat i ishin dobësuar dhe sytë i ishin verbëruar, të përpiqej dhe të kalonte kohën në nxënien përmendsh të Kuranit.

    Pikërisht kjo ambicie i drejtohet shumicës së atyre që pretendojnë se treni u ka ikur dhe u thotë: “Nëse ata mundën të arrinin, ti je më meritor të arrish dhe të korrësh sukses.”

    – Prej çasteve të tyre në vendet ku ua mësonin të tjerëve Kuranin:

    I pari që i shpiku hallkat (grupet) e Kuranit ishte sahabi, Ebu Derda. Përcjell Muslim ibn Mishkemi se Ebu Derda i kishte thënë atij: “Numëroji sa veta janë në ndejën tonë.” I thanë që numri ishte më tepër se një mijë e gjashtëqind veta. Ata lexonin Kuranin dhe garonin mes vete. Grupet përbëheshin prej dhjetë nxënësve. Çdonjëri prej tyre pasi e falte sabahun, shkonte në një qosh e lexonte pjesën e caktuar, mësuesi e vështronte dhe e dëgjonte si po lexonte. Ibn Amiri ishte udhëheqësi kryesor i të gjitha grupeve, ndërsa çdo grup kishte nga një mësues. Nxënësi, pasi e mësonte përmendsh pjesën e caktuar, shkonte te Ebu Derda h e lexonte para tij.

    Ebu Abdurrahman Sulemiju (vdiq më 74 h.), dijetari dhe lexuesi i njohur i Kuranit në kohën e vet, u mësoi njerëzve Kuranin për dyzet vjet radhazi në Xhaminë e Madhe (të Kufës).[18]

    Ibn Ahrami (vdiq më 341 h.) e kishte një grup të madh të nxënësve në xhaminë e Damaskut, ku prej pas namazit të sabahut e deri në drekë lexonin para tij.

    Muhamed ibn Alij Sulemiju tregon se një ditë u zgjua herët në agim, me shpresë që radha e tij për lexim të vinte më shpejt te Ibn Ahrami, por, kur shkoi, i gjeti tridhjetë lexues që kishin shkuar para tij. I erdhi radha të lexonte në namazin e ikindisë![19]

    Ebu Mensur Bagdadi jetën e kaloi duke ua mësuar njerëzve Kuranin. Para tij lexoi numër shumë i madh njerëzish. Karakteristikë që e dallonte karshi të tjerëve ishte se ua mësonte Kuranin edhe të verbërve.

    Ebu Muhamed Sibt el-Hajati nxori shumë hafëzë dhe një numër i madh i njerëzve lexuan para tij.

    Ibn Muxhahidi (vdiq më 324 h.) kishte tetëdhjetë e katër mësues të Kuranit që i mësonin njerëzit dhe pesëmbëdhjetë mësues të verbër që ua përsërisnin fjalë për fjalë Kuranin nxënësve.[20]

    Bekar ibn Ahmed ibn Bekari (vdiq më 353 h.) ishte mësues i Kuranit pwr afër gjashtëdhjetë vjet.[21]

    Subeji’ ibn Muselemi (vdiq më 508 h.) ua mësonte njerëzve Kuranin prej sabahut e deri diku në drekë. Kur u plak dhe nuk mund të ecte, e bartnin të tjerët deri në xhami.[22]

    Muhamed Ebu el-Mealiju ishte mësues i Kuranit për gjashtëdhjetë vjet. I erdhi koha t’i mësonte edhe fëmijët dhe nipat e nxënësve të tij. Krejt mundin e bënte për hir të Allahut, askujt nuk i kërkonte kompensim për mësimin e Kuranit, ndërsa veten dhe familjen e mbante me punë të tjera që i punonte.[23]

    Tek Iljas ibn Ulvani (vdiq më 673 h.), e përfunduan përmendsh Kuranin më shumë se një mijë persona.[24]

    Muhamed ibn Husejn ibn Muhamedi njihej që ua mësonte njerëzve Kuranin prej ezanit të sabahut.

    Ka edhe shumë të tjerë që historia i njeh, por ka edhe të tillë që me vdekjen e tyre, nuk i njeh më askush nëpër histori, ka vdekur edhe ajo me vdekjen e tyre. Allahu nuk ia humb mundin askujt prej punëmirëve.

    Sa fatlumë që janë këta njerëz me lavdërimin dhe dëshminë e Pejgamberit, alejhi selam, për ta, i cili tha: “Më i miri ndër ju është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve.” Kur e kujton çdonjëri prej mësuesve të Kuranit këtë hadith dhe i lexon jetëshkrimet e këtyre hafëzëve, do t’i vijë turp prej vetes kur i shkon mendja që ndeja e tij me orë për t’ua mësuar të tjerëve Kuranin është humbje e kohës. Ai ka për ta ndier që kjo kohë është më e mira që e shpenzon dhe se Allahu do t’ia kompensojë me diçka më të mirë për çdo sekondë që e harxhon në mësimin e Kuranit, si dhe do të jetë një lloj ngushëllimi për vështirësitë që i përjeton me fëmijët gjatë mësimit të tyre.

    Arsimi i plotë dhe i përkryer nuk përfundon thjesht veç te mësimi i të tjerëve dhe nxënia përmendsh e Kuranit, sepse duhet t’u shtohet atyre edhe mbjellja e domethënieve të Kuranit në shpirtra, të edukohen që ta duan dhe ta madhërojnë Kuranin, të edukohen me etikën e tij dhe të punojnë me të.

    Ky është një mision i lartë dhe hap i rëndësishëm në përgatitjen e tullave për nisjen e ndërtimit të kullave të larta. Kjo porosi është për ty, o ti mësues i Kuranit! Asnjëherë mos e harro porosinë e Allahut për të dërguarin e Tij: “Mos e hidh shikimin në të mirat kalimtare, që Ne ua kemi dhënë disave prej tyre, si stoli të jetës së kësaj bote…” (Ta Ha: 131)

    – Rezistenca karshi vështirësive:

    Kur ata e kuptuan namin e madh të Kuranit, pozitën e lartë të hafëzëve dhe se nuk blihej lirë, atëherë dhanë çdo mund dhe përballuan çdo vështirësi. Në vazhdim po i përmend veç disa prej lajmeve të tyre:

    Ebu Bekr ibn Ajashi, i njohur si Shu’be, thotë: “Kuranin e mësova tek Asimi për afër tri vjet. I nxehti, bora dhe shiu nuk më ndalën të shkoja tek ai. Gjatë kësaj periudhe nuk frekuentoja ndonjë dijetar tjetër.”[25]

    Lexuesi i njohur, Varshi (Uthman ibn Seidi), shkoi prej Egjiptit në Medinë të lexonte te Nafiu. Kur mbërriti në Medinë, personi që e priti, i tha: “Më porositi Nafiu të të pyes se a mund të flesh në xhami?” Imam Varshi pranoi pa asnjë diskutim. E kur u bë sabahu, erdhi Nafiu dhe iu drejtua Varshit me fjalët: “Ti je i huaji?” I tha: “Po, unë jam, Allahu të mëshiroftë!” Nafiu i tha: “Ti je më meritori për të lexuar i pari.”[26]

    Udhëtim, kurbet, fjetje në xhami; e gjithë kjo përpjekje veç ta arrijë zinxhirin më të lartë në leximin e Kuranit. E brezi ynë ku janë sot, që u duken shumë disa hapa se i bëjnë deri në xhami, apo se qëndrojnë disa orë në xhami, apo se zgjohen herët në mëngjes dhe e sakrifikojnë gjumin, e pastaj duan ta arrijnë atë që e kanë arritur të parët?!

    Udhëtimi, kurbeti dhe fjetja në xhami, po ashtu ishin pjesë e jetëshkrimit të imam Taberiut, i cili qëndroi në Bejrut për disa ditë, prej tyre shtatë ditë fjeti në xhaminë e madhe derisa e përfundoi leximin përmendsh të Kuranit sipas mënyrës së leximit “Esh-Shamije” para hoxhës Abas ibn Velid el-Bejruti.

    – Prej atyre që u bënë hafëzë për një kohë të shkurtër:

    Ebu Vail Shekik ibn Seleme ishte imam i madh dhe dijetar i Kufës. Jetoi në kohën e Pejgamberit m, por nuk e kishte parë apo takuar atë, e mësoi Kuranin për dy muaj.[27]

    Një student turk që studionte në universitet arriti ta mësonte Kuranin për shtatëdhjetë ditë!

    Më tregoi personalisht një dijetar, hafëz i njohur i cili merret me leximin dhe mësimin e Kuranit, për një person të gjeneratave më të vjetra se e kishte mësuar Kuranin për tre muaj. Më interesant është pyetja se si e kishte mësuar dhe kur e kishte mësuar? E kishte mësuar rrugës i hipur në kafshën e tij kur shkonte të mbushte ujë. Me vete çdoherë e mbante Mus’hafin, e rrugës kur shkonte dhe vinte lexonte, derisa për tre muaj u bë hafëz.

    Disa hafëzë tregojnë se ka të rinj që e mësojnë krejt Kuranin gjatë kohës së pushimit të verës.[28]

    O ju të rinj, këta ishin të parët tuaj dhe këto ishin disa prej jetëshkrimeve të tyre, që ato të jenë kundërpërgjigje përballë vrullit të lajmeve të të shfrenuarve dhe të dështuarve, që me to ballafaqohen të rinjtë tanë.

     

    (Pjesë nga libri: “Nxënia përmendsh e Kuranit” – është i përkthyer në shqip)

    Dr. Muhamed ed Duvejshi

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

    [1] Ahmed (5/30), (19821).

    [2] Buhariu, Ahmedi (5/186) (21673).

    [3] Tabakat Ibn Sad (4/271).

    [4] Marifetu el-Kura el-Kibar (2/611).

    [5] Marifetu el-Kura el-Kibar (2/651).

    [6] Marifetu el-Kura el-Kibar (2/653).

    [7] Marifetu el-Kura el-Kibar (2/586-587), Sijer el-Ealam en-Nubela (10/580).

    [8] Marifetu el-Kura el-Kibar (2/725).

    [9] Marifetu el-Kura el-Kibar (1/118).

    [10] Marifetu el-Kura el-Kibar (2/653).

    [11] Sijer el-Ealam en-Nubela (10/580).

    [12] Marifetu el-Kura el-Kibar (1/395).

    [13] Marifetu el-Kura el-Kibar (1/403).

    [14] Marifetu el-Kura el-Kibar (1/294).

    [15] Sahih Muslim bi sherh en-Nevevij (1/74).

    [16] Revista el-Arabije, numri 229, (fq.68).

    [17] Revista el-Usra numri (44), muaji Dhulkade 1317 h., (fq.36).

    [18] Sijer Ealam en-Nubela (4/268).

    [19] Sijer Ealam en-Nubela (4/268).

    [20] Sijer Ealam en-Nubela (15/565).

    [21] Marifetu el-Kura el-Kibar (1/271).

    [22] Marifetu el-Kura el-Kibar (1/306).

    [23] Marifetu el-Kura el-Kibar (1/463).

    [24] Marifetu el-Kura el-Kibar (2/687).

    [25] Marifetu el-Kura el-Kibar (1/138).

    [26] Marifetu el-Kura el-Kibar (1/154).

    [27] Sijer Ealam en-Nubela (4/163).

    [28] Si ta mësosh Kuranin Famëlartë? (fq. 7).

  • A lejohet kur shkon dikush në umre apo haxh t’i thuash bëri selam Pejgamberit(alejhi selatu ue selam)?

    A lejohet kur shkon dikush në umre apo haxh t’i thuash bëri selam Pejgamberit(alejhi selatu ue selam)?

    Pyetje: A lejohet kur shkon dikush në umre apo haxh t’i thuash bëri selam të Dërgrait të Allahut, se e dëgjova një arabe t’i thotë një motrës që u nis sot pë në umre?

    Përgjigje:

    Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
    Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij.

    • Ky veprim nuk lejohet, sepse çdokush mund të thotë salavate për Profetin, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, në çdo vend, dhe Zoti i Madhëruar ka siguruar që këto salavate t’i përcillen Profetit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, me anë të disa melaikëve, që e kanë këtë detyrë të tyre. Prandaj, kushdo që përshëndet me salavate Profetin, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, në çdo vend, me siguri do t’i arrijë përshëndetja e tij, pa pasur nevojë që të porosisë askënd që shkon në Medine.

    ●Tregon Abdullah bin Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Zotit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
    “Allahu ka melaike që gjezdisin në tokë, më përcjellin mua selamin e umetit tim.”
    [Transmetohet nga Nesa’i, nr.1282, dhe e ka saktësuar shejh Albani në “Sahih Al-Tergib”, nr. 1664.]

    • E njëjta pyetje i është drejtuar Komisionit të Përhershëm të fetvave dhe është përgjigjur:

    “Që njeriu t’i thotë dikujt bëji selam të Dërguarit të Zotit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, apo dikujt tjetër prej të vdekurve, nuk është e ligjëruar, por përkundrazi është bidat. Dhe Profeti, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
    “Çdo bidat është devijim dhe çdo devijim është në zjarr”.

    ● Është detyrë braktisja e këtij veprim dhe t’i lajmërojmë ata që e veprojnë atë se nuk lejohet. Është mirësia e Allahut ndaj nesh duke i bërë salavatet dhe selamet tona për Profetin tonë Muhamedin, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, kudo që jemi në lindje dhe në perëndim, ta arrijnë atë.

    ● Është vërtetuar se Profeti, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
    “Allahu ka melaike që gjezdisin në tokë, më përcjellin mua selamin e umetit tim”
    [Transmetohet nga Imam Ahmedi, Nesaiu dhe të tjerët.]

    ●Ai, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
    “Nga ditët tuaja më të mira është xhuma, prandaj në këtë ditë shtoni sa më shumë dërgimin e salavateve për mua, sepse salavatet që ju dërgoni më arrijnë kudo që të jeni.”

    ● Dhe, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
    “Mos ma bëni varrin vend festimi, as shtëpitë tuaja mo i bëni varre, dhe dërgoni salavate për mua, sepse salavatet tuaja do të më arrijë kudo që të jeni.”
    Dhe hadithet me këtë kuptim janë të shumta.”

    [Shejh Abdul-Aziz bin Baz, Shejh Abdul -Aziz Ali Shejh, Shejh Abdullah bin Gadjan, Shejh Salih El-Feuzan, Shejh Bekr Ebu Zeid.
    “Fetva të Komisionit të Përhershëm”, (vëll 16, fq 29, 30).]

    dr. Adelina Kucana

  • Gmail po ndryshon, prezantohen risitë

    Gmail po ndryshon, prezantohen risitë

    Google po zgjeron kartelat e Gmail me përmbledhje, të cilat janë fragmente kontekstuale të shërbimeve të drejtuara nga AI.

    Që tani e tutje, ato do të përfshijnë kartelat për blerje, ngjarje, fatura dhe udhëtime.

    Për më tepër, një seksion i ri “Happening Soon” do të shfaqet në krye të kutisë suaj hyrëse, duke shfaqur kartat e ardhshme të kohës.

    Kompania thotë se po bën ndryshimet sepse “zakonet e emailit të përdoruesve kanë vazhduar të evoluojnë”, transmeton Telegrafi.

    Seksioni i ri “Happening Soon” do të dërgojë kartelat përmbledhëse “në kohë” në krye të kutisë suaj hyrëse.

    Për shembull, kur hapni Gmail, mund të shihni një kartelë që tregon se një porosi që keni bërë javën e kaluar është dorëzuar sot.

    Google thotë se të gjitha kartelat përmbledhëse janë dinamike dhe të përditësuara në kohë reale.

    Kur është e përshtatshme, kartelat përmbledhëse do të përmbajnë gjithashtu butona veprimi.

    Google e përshkruan funksionalitetin e çelësave të veprimit si “nuk ka më të hutuar në kërkim të lidhjeve të rrëmujshme”.

    Kartelat përmbledhëse të blerjeve do t’ju lejojnë të gjurmoni paketat, të shikoni detajet e porosive dhe të gjurmoni porositë në internet.

    Kartelat do t’ju lejojnë të shihni ngjarjet tuaja të ardhshme, të ftoni miqtë ose të merrni udhëzime për në vendin e ngjarjes.

    Përmbledhja e faturave do t’ju lejojë t’i shikoni ose t’i paguani ato (ose të vendosni rikujtues për t’i paguar ato në Google Tasks).

    Së fundi, kartelat përmbledhëse të udhëtimit do t’ju lejojnë të menaxhoni rezervimet, check-in për fluturimet dhe të shihni detaje të tilla si orët e check-in dhe check-out në hotel.

  • Nuk do ta besoni sa efekt negativ ka për shëndetin një hamburger

    Nuk do ta besoni sa efekt negativ ka për shëndetin një hamburger

    Një hamburger me një lëng mund të jetë joshëse për një drekë të shpejtë ose një darkë të rastësishme dhe ju mund të gjeni një ‘fast-food’ thuajse në çdo cep të rrugës.

    Pavarësisht se sa të shijshëm janë hamburgerët mund t’iu shëndoshin dhe kanë efekte të tjera në shëndetin tuaj.

    Qasja më e shëndetshme është që këtë ushqim të shijshëm ta lëni për ta ngrënë në raste të caktuara dhe hani në përditshmëri ushqime të tjera më të shëndetshme.

    Por këtu po ju paraqesim efektet negative që ka hamburgeri për shëndetin tuaj:

    Shtimi në peshë- për shkak se përmban shumë kalori

    I dëmshëm për zemrën-yndyra e tepërt ndikon në rritjen e nivelit të kolesterolit në gjak

    Presion i lartë i gjakut – hamburgeri përmban një sasi të lartë të natriumit, i cili mund të shkaktojë presion të gjakut, sulm të zemrës si dhe sëmundje të veshkave.

    Për të shmangur këto rreziqe që sjell ky ushqim i shpejtë ju duhet të paktën të konsumoni sallatë jeshile me perime tjera apo edhe fruta. Por më e mira që mund të zgjidhni në një ‘fast-food’ është të porosisni një sallatë pule të kombinuar me fruta të thata.

  • Ushtarët amerikanë të KFOR-it kryejnë pika kontrolli të automjeteve në Leposaviq

    Ushtarët amerikanë të KFOR-it kryejnë pika kontrolli të automjeteve në Leposaviq

    KFOR-i ka njoftuar se ushtarët amerikanë kanë kryer pika kontrolli të automjeteve brenda komunës së Leposaviqit.

    Në një njoftim në Facebook, KFOR-i thotë se këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të tyre për të garantuar mjedis të qetë dhe të sigur për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë

    “Ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO kryen pika kontrolli të automjeteve brenda komunës së Leposaviqit. Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Tutje ata kanë theksuar se KFOR-i është reagues i tretë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it në Facebook.

  • Kosovë, rriten për 20 për qind pensionet

    Kosovë, rriten për 20 për qind pensionet

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë bërë të ditur se nga ky muaj do të rriten pensionet për disa kategori të pensionistëve me 20 për qind, transmeton Anadolu.

    Në një konferencë për media në Qeverinë e Kosovës, kryeministri Kurti, tha se situata me inflacionin është zbutur dhe ekonomia e vendit po i kthehet ritmit të filluar pas pandemisë. Sipas Kurtit, në një situatë të tillë mund të bëhet planifikim më i qëndrueshëm buxhetor dhe rrjedhimisht u mor vendimi për rritjen e pensioneve.

    “Duke filluar nga ky muaj, pra, muaji tetor 2024, do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet si vijon: pensioni bazik i moshës, pensioni kontribut-pagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe të rritur, pensioni për personat e verbër, pensioni për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, pensioni familjar, pensioni ivalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës”, theksoi Kurti.

    Ai tutje tha se nga muaji janar do të ketë rritje për 20 për qind edhe për pensionet e përcaktuara në Ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.

     

    – “Nga kjo rritje do të ndikohen 304 mijë e 16 përfitues”

    Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se nga kjo rritje do të ndikohen 304 mijë e 16 përfitues dhe se ndikimi në buxhet i kësaj rritjeje do të jetë 100 milionë euro shtesë.

    Rritja e fundit e pensioneve në Kosovë ishte bërë në fillim të vitit 2022, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të cilën Qeveria e miratoi gjatë kohës së pandemisë së COVID-19.

    Me vendimin e fundit të Qeverisë, pensioni bazik i moshës do të rritet në 120 euro, pensioni kontribut-pagues për kategorinë e parë do rritet në 218 euro, për kategorinë e dytë 237 euro, për atë të tretë 256 euro dhe për atë të katërt 318 euro.