Author: KushtrimGuraj

  • Përdoruesit Windows 11-ës përballen me BSOD pas instalimit të përditësimit të fundit

    Përdoruesit Windows 11-ës përballen me BSOD pas instalimit të përditësimit të fundit

    Microsoft ka konfirmuar problemin duke thënë se të gjithë përdoruesit në versionet 23H2 dhe 22H2 të Windows 11-ës mund të preken. Aktualisht Microsoft ka larguar përditësimin.

    Javën e kaluar Microsoft lançoi një përditësim opsional të Windows 11-ës i cili solli disa veçori të reja në menunë Start, taskbar dhe ekranin e bllokimit. Për fatin e keq ky përditësim është duke shkaktuar probleme të shumta për disa përdorues.

    Raportuar nga Windows Latest, pas instalimit të përditësimit KB50443145, përdoruesit nuk do të duan të rindezin kompjuterin pasi mund të përballen me ekranin blu të vdekjes (BSOD). Në disa raste mund të aktivizohet edhe BitLocker.

    Microsoft ka konfirmuar problemin duke thënë se të gjithë përdoruesit në versionet 23H2 dhe 22H2 të Windows 11-ës mund të preken. Aktualisht Microsoft ka larguar përditësimin.

    Çfarë nuk shkon me përditësimin?

    Kompjuterët e prekur mund të ngecin në një cikël të përhershëm BSOD me Windows që hyn në ndërfaqen e rikuperimit pas ndezjes ndërsa përpiqet të riparojë çfarë nuk shkon.

    Disa përdorues thonë se pas instalimit të KB50443145, kompjuteri i tyre qëndron në një cikël të përhershëm. Nëse nuk e keni instaluar ende, injorojeni përditësimin.

    E nëse e keni instaluar duhet të shkoni në Windows Recovery dhe në menunë Troubleshoot > Advanced Options. Nëse e keni instaluar por nuk po përballeni me probleme dhe keni frikë se mund të shfaqen në të ardhmen atëherë navigoni në Settings > Windows Update > Update history > Uninstall updates dhe ç’instalojeni.

  • Sa ju dëmton lagështira në shtëpinë tuaj?

    Sa ju dëmton lagështira në shtëpinë tuaj?

    Sasi të vogla të mykut ndodhen kudo, në ajër ose në sipërfaqe të ndryshme.

    Lavamanët që kanë rrjedhje, dirtaret e izoluara dobët, kuzhina, bodrumi dhe dushi janë disa nga vendet më të zakonshme ku krijohet myku.

    Llojet e dëmshme të mykut mund të shkaktojnë alergji, helmin ose infeksione patogjene.

    AgroWeb.org në këtë artikull ju njeh me efektet e padëshirueshme shëndetësore, që lidhen me praninë e mykut në ambientin ku jetoni ose punoni.

    Si ndikon myku në trupin tuaj?

    Simptomat më të shpeshta të lidhura me mykun, janë alergjitë dhe astma.

    Simptomat e ekspozimit ndaj mykut varen nga personi, gjatësia e ekspozimit dhe llojet e mykut.

    Gjithashtu ato ndryshojnë nga njëri person në tjetrin, sepse gjenetika individuale luan një rol në mënyrën se si trupi juaj reagon kur ekspozoheni ndaj tij.

    Por mbetet e vështirë t’i atribuohet çdo simptomë vetëm pranisë së lagështirës dhe mykut.

    Kjo për shkak se ekspozimi mykut mund të shoqërohet një kohësisht me ekspozimin ndaj mikorbeve ose baktereve, të cilat mund të shkaktojnë probleme më vete, ose mund të përkeqësojnë sëmundjet ekzistuese. Kjo është arsyeja se pse mund të jetë sfiduese marrja e një diagnoze.

    Sidoqoftë, studime të ndryshme ku AgroWeb.org mbështetet, kanë zbuluar lidhje të mundshme midis simptomave të mëposhtme dhe ekspozimit ndaj mykut.

    Probleme me frymëmarrjen dhe mushkritë

    Kollitja, rrjedhja e hundëve, ethet ose gulçimi shoqërohen zakonisht me ekspozimin e mykut të të gjitha llojeve.

    Kujtesë e dobët

    Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj mykut në ambjentet e banimit ose të punës, mund të dobësojnë kujtesën tuaj dhe të përkeqësojnë sëmundje të tilla si ajo e Alzheimerit. Megjithatë studimet ende nuk kanë dalë në përfundime të sigurta.

    Lodhje kronike

    Sindroma e lodhjes kronike, ka një lidhje të fortë mes pranisë së baktereve ose mikrobeve dhe ekspozimin ndaj mykut.

    Një studim i vitit 2013 ku AgroWeb.org u bazua, zbuloi se 93% e atyre me lodhje kronike rezultuan pozitivë për praninë e tyre në organizëm.

    Probleme me sistemin tretës

    Të vjellat, diarreja dhe dhimbjet e barkut janë simptoma të problemeve me tretjen, që lidhen edhe me ekspozimin ndaj abienteve me prani të mykut.

    Sa më gjatë të jetoni ose të punoni në ambiente ku ka parani të mykut, aq më serioze mund të bëhen simptomat tuaja.

    Nëse keni prani të mykut në shtëpi, duhet të merrni masat e duhura paraprake dhe të kuptoni që ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tij, mund të shkaktojë probleme shëndetësore ose të përkeqësojë ato aktualet.

  • Kosova në prag të rikthimit të mallrave nga Serbia, pas presionit të Gjermanisë

    Kosova në prag të rikthimit të mallrave nga Serbia, pas presionit të Gjermanisë

    “Ne po punojmë dhe jemi të përkushtuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”.

    Kështu iu përgjigj Qeveria e Kosovës pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është duke shqyrtuar kërkesën e Gjermanisë për heqjen e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia.

    Ambasada gjermane në Kosovë konfirmoi për REL-in se “ka pasur shumë bisedime mes zyrtarëve gjermanë dhe kosovarë për këtë temë”, sepse, siç tha, “Gjermania do që të arrijë rezultate sa i përket CEFTA-s në samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit”.

    Kërkesën për heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia në Kosovë e bëri i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në fillim të shtatorit, me shpjegimin se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, apo Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

    Ai tha se, për shkak të kësaj ndalese, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit – një nismë që synon ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

    Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit do të mbahet më 14 tetor.

    Qeveria e Kosovës mori vendim për t’i ndaluar importet e mallrave nga Serbia në mes të korrikut të vitit 2023, për, siç tha, arsye sigurie.

    Atëkohë, policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës. Edhe pse ata, ndërkohë, u liruan, vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia mbeti në fuqi.

    BE-ja ka deklaruar në disa raste se një vendim i tillë i autoriteteve të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjen CEFTA dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me BE-në.

    Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha më 1 tetor, në një konferencë përgatitore me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, se dy javët e ardhshme janë vendimtare për mbajtjen me sukses të samitit të Procesit të Berlinit.

    “Varet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje për zbatimin e CEFTA-s. Ka ende punë për ta arritur këtë”, tha ajo.

    Ekspertët mbështesin heqjen e masave që ndalojnë importet nga Serbia

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia është marrë për arsye sigurie më shumë se një vit më parë dhe se është koha që të shqyrtohet seriozisht shfuqizimi i tij.

    Ai thotë se ky vendim rrezikon jo vetëm punën e CEFTA-s, por edhe Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, për të cilin u ra dakord në vitin 2020.

    “Të gjitha janë të lidhura me njëra-tjetrën. Prandaj, është e rëndësishme që të largohen të gjitha pengesat, jo vetëm nga Kosova… Ne kemi probleme edhe me eksportimin e mallrave në Serbi, sepse ajo nuk e njeh dokumentacionin fitosanitar të Kosovës”, thotë Rafuna.

    Me të pajtohet edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu, i cili thotë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të “eksperimentojë” në bashkëpunim ekonomik rajonal.

    Sipas tij, Kosova duhet ta kuptojë rëndësinë e integrimit ekonomik evropian dhe ajo nuk e ka “luksin” ta bllokojë bashkëpunimin rajonal me vendime politike.

    Rafuna: Investitorët e shohin rajonin si një treg

    Rafuna, i cili është edhe kryetar i bordit drejtues të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor, thotë se të gjitha nismat rajonale janë të rëndësishme, andaj çdo pengesë që ndikon në funksionimin e tyre, duhet të hiqet.

    “Ne jemi një vend i vogël, jemi një treg i vogël dhe të gjithë investitorët e shohin rajonin si një treg. Është e rëndësishme që mes nesh të mos ketë pengesa. Ato nuk janë mesazh i mirë për investitorët”, vlerëson ai.

    Tregu në vendet e Ballkanit Perëndimor ka rreth 18 milionë banorë.

    Qëndrim të ngjashëm shpreh edhe ekonomisti Gërxhaliu, i cili shton se CEFTA ka një rëndësi të madhe për biznesmenët, për shkak të përfitimeve doganore dhe plasimit të mallrave.

    Ai nënvizon se edhe Procesi i Berlinit është një iniciativë e rëndësishme, nga e cila përfitojnë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe se Kosova, në asnjë mënyrë, nuk duhet të lejojë që të përjashtohet.

    “Nuk mund të presim investime të huaja nëse nuk ka stabilitet politik. Ai stabilitet politik nuk mund të arrihet nëse nuk kemi pjesëmarrje aktive në të gjitha nismat rajonale”, thotë Gërxhaliu.

    Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 në Berlin, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, si një kontribut në perspektivën e zgjerimit të BE-së.

    Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, janë pjesë e Procesit të Berlinit: Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria.

    Disa nga marrëveshjet e nënshkruara mes këtyre vendeve, si pjesë e Procesit të Berlinit, janë: marrëveshja për njohjen reciproke të kartave të identitetit, të diplomave universitare, të kualifikimeve profesionale, pastaj bashkëpunimi në fushën e transportit, energjisë, ekologjisë, digjitalizimit dhe në roaming.

    Kosova është anëtare e CEFTA-s që nga viti 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.

    Qeveria e Kosovës ka kërkuar që ky përfaqësim i Kosovës të ndryshohet, ndërsa Gjermania ka ofruar “zgjidhjen” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.

    Sarrazin i tha Rrjetit Ballkanik të Kërkimeve – BIRN, më 23 shtator, se pranë emrit të Kosovës do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi këtë javë Gjermaninë, ku kërkoi mbështetjen e këtij vendi për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, BE-ja dhe NATO-ja.

    Përmes një postimi në platformën X, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë tha se e përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale, ashtu si edhe të normalizimit të marrëdhënieve të saj me Serbinë.

  • Franca dhe Norvegjia mbështesin shefin e OKB-së, kritikojnë Izraelin për shpalljen e tij person të padëshiruar

    Franca dhe Norvegjia mbështesin shefin e OKB-së, kritikojnë Izraelin për shpalljen e tij person të padëshiruar

    Franca dhe Norvegjia kanë shprehur mbështetjen e tyre për sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, duke dënuar Izraelin për shpalljen e tij “person të padëshiruar” dhe për mohimin e lejimit të tij të hyjë në Tel Aviv, transmeton Anadolu.

    “Franca shpreh keqardhje për vendimin serioz, të pajustifikuar dhe kundër-produktiv të Izraelit për shpalljen ‘person të padëshiruar’ sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Francës.

    Ministria franceze tha se riafirmojnë “mbështetjen tonë të plotë dhe besimin në sekretarin e përgjithshëm të OKB-së”.

    “Franca përsërit angazhimin e saj ndaj Kartës së OKB-së, ligjit ndërkombëtar dhe rëndësinë e respektimit të vendimeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me ruajtjen e paqes dhe sigurinë ndërkombëtare”, theksoi ministria franceze, duke shtuar se OKB-ja luan një rol themelor në stabilitetin e rajonit.

    Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, nga ana e tij, në rrjetet sociale tha se Norvegjia “qëndron fortë” pas shefit të OKB-së, mbrojtjes së Kartës së OKB-së, si dhe pas përpjekjeve për të ruajtur paqen dhe sigurinë.

    “Unë kundërshtoj fuqishëm përpjekjet e Izraelit për të minuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe OKB-në,” theksoi ai.

    Më tej, kryeministri norvegjez tha se “krizat me të cilat përballemi, përfshirë në Lindjen e Mesme, bëjnë thirrje për një OKB të fuqishme, me mbështetjen tonë të plotë”.

    Dje, Izraeli njoftoi se e shpalli shefin e OKB-së “person të padëshiruar”, pasi ai kërkoi një de-përshkallëzim urgjent në Lindjen e Mesme.

    Gjatë muajve të fundit, gjithashtu edhe disa zyrtarëve të tjerë të OKB-së u është ndaluar të hyjnë në Izrael, duke përfshirë raportuesen e posaçme të OKB-së për Palestinezët, Francesca Albanese, e cila u akuzua se “merr anë me palestinezët” dhe me shefin e zyrës humanitare të OKB-së në territorin e pushtuar palestinez, i cili në muajin gusht deklaroi se Izraeli refuzoi të zgjasë vizën e tij për shkak të një raporti të OKB-së që akuzonte Izraelin për shkelje të të drejtave të fëmijëve palestinezë.

  • MEXHLISET KU MËSOHET PËRMENDSH KURANI

    MEXHLISET KU MËSOHET PËRMENDSH KURANI

    I keni parë njerëzit se si mburren me ndejat ku të ftuar janë njerëz me autoritet dhe nam, aty njoftohen dhe lidhen mes vete, apo e realizojnë ndonjë nevojë a kërkesë që e synojnë; ta dini që personat që ulen në mexhliset ku mësohet përmendsh Kurani janë shumë më të mira dhe më të lumtura se ndejat e tjera. Kjo për shkak se Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Kur mblidhen njerëzit në shtëpitë e Allahut, e lexojnë Kuranin dhe e mësojnë së bashku me njëri-tjetrin, vetëm se mbi ta zbret qetësia, i mbulon mëshira e Allahut, i rrethojnë melekët dhe Allahu i përmend në mesin e atyre që janë tek Ai.”[1]

    – Këta persona i përfshijnë katër mirësi:

    1. Ju zbret qetësi prej Allahut.
    2. I mbulon mëshira e Allahut, e cila është afër bamirësve dhe robërve të drejtë. Robi ka shumë nevojë për rahmetin e Allahut. A nuk thotë shpeshherë në lutjet e tij: “O Mëshirues i Mëshiruesve!” Dije që dera e rahmetit të Allahut është e hapur, andaj shpejto furishëm kah ajo që Allahu të të mëshirojë.
    3. I rrethojnë melekët. Ata janë krijesa të nderuara të Allahut, që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.
    4. I përmend Allahu në mesin e atyre që janë tek Ai. Ku mund të krahasohet kjo mirësi me dëshirën e disave që duan t’i përmendin apo të përmenden prej njerëzve me nam dhe autoritet? A ka respekt më të madh dhe më të lartë për robin se ta përmendë Allahu atë para melekëve?!

    – Këto mexhlise i zbukurojnë edhe mirësi dhe vlera të tjera, që janë përmendur në argumente të tjera:

    1. Në përgjithësi këto mexhlise ndodhin në shtëpitë e Allahut, ndërsa Allahu i lavdëroi ata që i ngrenë shtëpitë e Allahut me adhurim: “Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe në mbrëmje njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për ta përmendur Allahun dhe të cilët e falin namazin dhe e japin zekatin dhe të cilët kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara. (Këta shpresojnë) që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë e t’ua shtojë dhuntinë e Tij. Allahu i jep kujt të dojë, pa llogari.” (En-Nur: 36-38)

    Pejgamberi, alejhi selam, për çështjen e xhamive tha: “Vendet më të dashura për Allahun janë xhamitë, ndërsa vendet më të urryera për Allahun janë tregjet.”[2]

    1. Shpeshherë lexuesi i Kuranit qëndron në këto mexhlise pas kryerjes së farzit. Pejgamberi, alejhi selam, e lavdëroi këtë veprim dhe nxiti për në të dhe tregoi se për këtë person luten melekët: “Pasi të falet, për aq sa të qëndrojë në xhami, melekët luten vazhdimisht për të, duke thënë: ‘O Allah, fale! O Allah, mëshiroje!’.”[3]
    2. Ato janë mexhlise që frekuentohen nga hafëzët, të cilët janë miqtë e Allahut dhe të veçuarit e Tij, e të cilëve Allahu ua ngriti namin dhe ua rriti famën në dynja dhe ahiret.
    3. Transmetohen disa hadithe për vlerën e mexhliseve të dijes dhe të dhikrit, e njëri prej tyre është hadithi i gjatë ku tregohet për rastin e melekëve që i përcjellin mexhliset e dhikrit.

    Ebu Hurejra na përcjell se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Allahu ka caktuar melekë që shëtisin nëpër rrugë, duke i kërkuar ata që e përmendin Allahun. Dhe, nëse gjejnë ndonjë grup që e përmendin Allahun, i thonë: ‘Na i tregoni nevojat tuaja dhe i rrethojnë me krahët e tyre deri në qiellin e dynjasë.’ Allahu i pyet melekët, ndërkohë që Ai e di më mirë: – Çfarë po thonë robërit e Mi? Melekët i përgjigjen: – Ty të lavdërojnë, o Allah, Ty të falënderojnë, Ty të madhërojnë dhe Ty të lartësojnë. Allahu u thotë: – Vallë, a më kanë parë Mua? I thonë: – Jo, për Ty (betohen), nuk të kanë parë. Allahu u thotë: – Po sikur të më kishin parë Mua? Melekët përgjigjen: – Sikur të të kishin parë Ty, ata do të të lavdëronin edhe më shumë, do të të falënderonin edhe më shumë. Allahu i pyet: – Çfarë kërkojnë prej meje? I përgjigjen: – Xhenetin. Allahu u thotë: – Vallë a e kanë parë Xhenetin? I përgjigjen: – Jo, për Ty, nuk e kanë parë. Allahu u thotë: – Po sikur ta kishin parë? I përgjigjen:   – Do ta kërkonin pa pushim dhe do të përpiqeshin me çdo kusht ta fitonin. Allahu u thotë: – Nga se kërkojnë mbrojtje prej Meje? I përgjigjen: – Nga zjarri i Xhehenemit. Allahu i pyet: – A e kanë parë atë? I përgjigjen: – Jo, pasha Ty, nuk e kanë parë. Allahu u thotë: – Po sikur ta kishin parë? I përgjigjen: – Nëse do ta kishin parë atë, do t’i largoheshin e frikësoheshin akoma më shumë. Allahu thotë: – O melekët e Mi, Unë ju bëj dëshmitarë ju se Unë i kam falur ata. Një prej melekëve thotë: – O Allah, aty ndodhet një person i cili nuk është aty për tjetër pos për nevojat e veta. Allahu thotë: – Tek ai mexhlis edhe ai që është rastësisht nuk do të dalë i humbur.”[4]

    S’ka dyshim që dhikri dhe dija më e mirë është leximi i Kuranit, mësimi përmendsh dhe studimi i tij.

    Meditoje se si Allahu e fali personin që nuk ishte pjesë e mexhlisit, ai erdhi për nevojat e tij dhe u ul në mexhlis. Kjo është përgjigjja më e mirë e pyetjes së shumicës që ankohen për nijetin e dobët, apo për mangësitë e tyre, apo se bëjnë disa gjynahe në vetmi, e ajo i nxit të mendojnë që të largohen nga shoqërimi i shokëve të mirë.

     

    (Pjesë nga libri: “Nxënia përmendsh e Kuranit” – është i përkthyer në shqip)

    Dr. Muhamed ed Duvejshi

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

    [1] Muslimi (2699).

    [2] Muslimi (671).

    [3] Buhariu (647).

    [4] Buhariu (6408), Muslimi (2689).

  • Çfarë këshille i jepet dikujt që dëshiron të martohet, por nuk ka mundësi?

    Çfarë këshille i jepet dikujt që dëshiron të martohet, por nuk ka mundësi?

    Pyetja: “Te ne në xhami është mbajtur një program në të cilin kanë diskutuar djemtë të rinj me ata që janë më të shtyrë në moshë për hadithet e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) rreth martesës dhe se ata duhet t’ua lehtësojnë rrethanat e martesës të rinjve. Kjo temë hapi shumë diskutime ku baballarët janë të interesuar më shumë për gjendjen dhe komoditetin e dy të martuarve, sidomos pas lindjes së fëmijëve.

    Të rinjtë sot nuk e përfundojnë fakultetin vetëm se kur i mbushin 21 apo 23 vjet për nxënësit e fakultetit të mjekësisë dhe nuk mund t’ju përballojnë harxhimeve të martesës, prandaj cila do të ishte këshilla juaj praktike me të cilët do t’i këshillonit shumë të rinj myslimanë në perëndim të cilët dëshirojnë ta plotësojnë gjysmën e besimit të tyre?

    Përgjigja:

    Falënderimi i takon Allahut…

    Së pari: Diskutimi rreth çështjeve fetare dhe kalimi i kohës me këtë është prej gjërave më të dobishme me të cilat e angazhon njeriu veten e tij. Ngase kërkimi i diturisë është obligim dhe ibadet (adhurim), përderisa e kalon kohën e tij duke përfituar për vete dhe duke përfituar të tjerët nga ai. E nëse diskutuesit nuk kanë të qartë diçka atëherë, i drejtohen me pyetje dijetarëve.

    Së dyti: Këshilla për ata që jetojnë në vendet jo islame është të shpërngulen në vendet islame ku nuk gjenden sprovat e dynjasë dhe e femrave që gjenden në ato vende dhe duhet që mes tyre pastaj të zgjedh vendet më të mira. Dhe e këshillojmë ta lerë çdo ambient në të cilin frikësohet se devijon qoftë ai ambient banimi, pune apo studimi.

    Dhe e këshillojmë ta shpejtoj martesën dhe të zgjedh gruan e mirë e cila nuk e rëndon me mehr (dhurata e martesës) të lartë e as me kërkesat e saj.

    Dhe e këshillojmë që nëse nuk ka mundësi të martohet ta ruaj shikimin dhe dëgjimin e tij nga të ndaluarat dhe të mos shkoj në vendet e ndaluara e as të mos prekë atë që nuk e ka të lejuar ta prekë. Le t’i ndihmon vetes në këtë me namaz, agjërim, lutje dhe shoqëri të mirë dhe le të merret me atë që i bën dobi sikurse kërkimi i diturisë, mësimi përmendësh i Kuranit dhe thirrja në rrugë të Allahut, ngase nëse nuk e angazhon vetën tënde me respekt ndaj Allahut, të angazhon me mëkat ndaj Tij. Së treti: Këshilla për përgjegjësit (kujdestarët) e të rinjve dhe të rejave është që të mos konsiderojnë studimet pengesë dhe barrierë për martesën.

    Kur ka qenë martesa pengesë në arritjen e diturisë?! Bile realiteti dhe përvoja dëshmojnë të kundërtën, ngase martesa ndihmon në përkushtimin e mendjes dhe çiltërsinë e shpirtit. E mbi të gjitha përmes martesës nxiton të përmbush urdhrin e Pejgamberit (lavdërimi dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) për martesën e të rinjve.

    Si dhe përgjegjësit nuk duhet t’i rëndojnë të rinjtë me shumë kërkesa të cilat llogariten si lloj luksi dhe teprimi dhe le të përkufizohen në kërkesat e tyre vetëm në atë që ka nevojë gruaja dhe shtëpia. Si dhe le ta dinë se martesa është prej shkaqeve të cilat sjellin rizkun furnizimin.

    Allahu i lartësuar thotë: “Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit) edhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershëm e të ndershme. Nëse janë të varfër, All-llahu i begaton nga mirësitë e Tij, All-llahu është bujar i madh, i gjithëdijshëm.” (En Nur. 2)

    E Allahu e dimë më së miri

    /Shejh Salih El Munexhid/

  • Barnat dikur të shumëkërkuara, tani me afat të skaduar në barnatoren e QKUK-së

    Barnat dikur të shumëkërkuara, tani me afat të skaduar në barnatoren e QKUK-së

    Në kulmin e pandemisë COVID-19, në vitet 2020 dhe 2021, ilaçi Remdesivir vështirë mund të gjendej në Kosovë, ose duhej të paguhej qindra euro.

    Sot, mijëra pako të tij, me afat të skaduar, gjenden në Barnatoren Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    “Unë nuk kam qenë këtu atëkohë, por është një dhomë me produktin Remdesivir, me rreth 7 mijë njësi”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtoresha e kësaj barnatoreje, Dardane Mehaj.

    Barnatorja Qendrore e QKUK-së furnizon të gjitha barnatoret e klinikave të saj, ndërsa për çështjen e barnave koordinohet edhe me spitalet rajonale.

    Ekipi i REL-it e vizitoi atë në fund të shtatorit, ku pa disa dhoma me barna me afat të skaduar, të vendosura shumë pranë barnave të përdorshme – me vetëm një perde në mes.

    Pavarësisht kësaj gjendjeje, Mehaj siguron se barnat e përdorshme janë të sigurta. Ndërsa, për barnat dhe materialet e tjera medicinale me afat të skaduar, ajo thotë se janë grumbulluar aty tash e gati 15 vjet.

    Sipas Mehajt, sasisë së tyre i kanë kontribuar edhe donacionet e bëra gjatë pandemisë COVID-19.

    “Stoqet që i kemi pasur në klinika, i kemi deponuar këtu. Është një numër i caktuar, nuk mund ta them me shifra. Nuk e di saktë as cilat barna janë, por vlen të theksohet se një produkt, që në kohë të pandemisë ka qenë vështirë të sigurohet, gjendet këtu në stok me afat të skaduar”, thotë Mehaj, duke iu referuar ilaçit antiviral Remdesivir.

    Ajo nuk mund të thotë se përse ky ilaç – dikur i shumëkërkuar – ka përfunduar pa afat në magazinat e barnatores, bashkë me lloje të tjera barnash.

    Ajo që dihet është se Remdesivirin, gjatë pandemisë, qytetarët e Kosovës e kanë blerë vetë nëpër barnatore, me një çmim prej 150 deri në 200 euro.

    Institucionet shëndetësore vazhdimisht hedhin fajin te njëra-tjetra për keqadministrim të barnave.

    Si duhet të asgjësohen barnat me afat të skaduar?

    Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon disa hapa – përfshirë kthimin te prodhuesi, groposjen, zbërthimin kimik dhe djegien – për asgjësimin e sigurt të barnave me afat të skaduar.

    Sipas saj, këto barna “duhet të asgjësohen në mënyrë të sigurt, pa dëmtuar njerëzit dhe mjedisin”.

    Mehaj thotë se barnat pa afat nuk janë tërhequr nga Barnatorja Qendrore e QKUK-së për asgjësim qysh në vitin 2010.

    “Ekzistojnë procedura standarde operative se si një institucion duhet t’i tërheqë ose asgjësojë barnat. Një institucion si QKUK-ja nuk mund ta bëjë vetë një gjë të tillë. Ajo shkon përmes Ministrisë së Shëndetësisë, e cila duhet të hapë një tender për këtë çështje”, thotë Mehaj.

    Në një udhëzim administrativ, të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës qysh në vitin 2008, thuhet po ashtu se Ministria e Shëndetësisë është ajo që kontrollon dhe mbikëqyr administrimin e mbeturinave të produkteve medicinale, të gjeneruara në institucionet shëndetësore publike dhe private.

    Ministria udhëzon edhe për mënyrën e shkatërrimit të mbeturinave të produkteve medicinale, thuhet në dokument.

    E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, kjo ministri tha se ka formuar tashmë një grup punues për asgjësimin e mbetjeve mjekësore.

    “Grupi e ka për obligim hartimin e kritereve për asgjësimin e këtyre mbetjeve medicinale dhe pas përfundimit të kësaj çështjeje, do të fillohet me aktivitetin e prokurimit”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

    Ministria nuk iu përgjigj pyetjeve shtesë të REL-it se kur është formuar ky grup punues, përse barnat me afat të skaduar nuk janë asgjësuar tash e sa vite dhe a paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve grumbullimi i tyre.

    Farmacistja Sabrije Fazliu-Asllani thotë se ruajtja e barnave me afat të skaduar në një vend ku ka edhe barna të përdorshme, bart rrezik për këto të fundit.

    “Barnat e skaduara kontaminojnë ambientin apo vendin ku i lëmë”, thotë ajo.

    Fazliu-Asllani, e cila drejton një barnatore private në Prishtinë, tregon se largimin dhe asgjësimin e barnave me afat të skaduar në institucionet private, e bëjnë kompanitë furnizuese.

    Kosova nuk ka një vend të veçantë publik për asgjësimin e këtyre produkteve.

    Por, Ministria e Mjedisit, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor prej vitesh ka licencuar së paku dy kompani private, të cilat, pos tjerash, janë të thirrura edhe për asgjësimin e mbetjeve medicinale dhe ilaçeve me afat të skaduar.

    Këtë proces ato e kryejnë në furra me temperatura të larta brenda punëtorive të tyre.

    Radio Evropa e Lirë ra në kontakt me pronarin e njërës kompani, i cili tha se, aktualisht, nuk është duke u marrë me punë të tilla, pasi nuk ka pasur ndonjë ofertë ose tender për asgjësim barnash.

    “Para pak vitesh kemi bërë asgjësimin e disa mbetjeve medicinale në një komunë”, tha shkurtimisht ai, pa dhënë më shumë detaje.

    Barnatorja Qendrore e QKUK-së, që udhëheq Mehaj, është e stërmbushur edhe me tavolina pune për stafin, për shkak të mungesës së hapësirave.

    “Jemi shumë ngushtë dhe kjo na krijon probleme. Ne, edhe kur kemi furnizime të rregullta, duhet të koordinohemi për të liruar hapësira”, thotë Mehaj.

    Situata, sidoqoftë, nxjerr në pah një paradoks shqetësues në sistemin e kujdesit shëndetësor të Kosovës, ku pacientët shpesh detyrohen të blejnë barna me paratë e tyre, ndërkohë që barnat e skaduara grumbullohen nëpër barnatore.

    Adresimi i çështjes duket se është kritik për ruajtjen e shëndetit publik.

  • Shtetasi francez, David Zappone pranon fenë Islame në Türkiye

    Shtetasi francez, David Zappone pranon fenë Islame në Türkiye

    Një shtetas francez u bë musliman në qytetin Sakarya të Türkiyes, raporton Anadolu.

    Shtetasi francez, David Zappone, i cili thuhet se ka hulumtuar Islamin dhe ka vendosur të bëhet musliman, vizitoi Myftiun e Qarkut, Mehmet Çelebi në lagjen Karasu dhe u bë musliman duke recituar fjalët e shehadetit (dëshmisë) në ceremoninë e konvertimit të mbajtur këtu dhe mori emrin “Davud”.

    Myftiu Çelebi i dha Zappone-s një certifikatë konvertimi dhe i dhuroi Kuranin e Shenjtë dhe disa libra fetarë në frëngjisht.

  • Kosovë, mbahet konferenca ndërkombëtare “FSK dhe Partnerët 2024”

    Kosovë, mbahet konferenca ndërkombëtare “FSK dhe Partnerët 2024”

    Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), organizuan në Prishtinë konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe Partnerët 2024”, raporton Anadolu.

    Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, ambasadorë, atashe të mbrojtjes të Republikës së Kosovës, si dhe përfaqësues tjerë diplomatikë dhe atashetë ushtarakë të të gjitha shteteve partnere të Kosovës.

    Zëvendësministri i Mbrojtjes në Kosovë, Shemsi Syla, tha se partnerët e FSK-së kanë luajtur rol thelbësor për fuqizimin e FSK-së, rrjedhimisht sot FSK-ja qëndron e fortë dhe e gatshme për përmbushjen e misionit të saj si garantuese e sigurisë së Kosovës dhe ruajtëse e paqes në rajon.

    Syla tha se FSK ka dëshmuar ndër vite përkushtimin e saj për të mbrojtur lirinë dhe sigurinë e gjithë qytetarëve të saj.

    “Përmes ushtrimeve të përbashkëta, trajnimeve dhe operacioneve ndërkombëtare ne kemi ndërtuar një forcë të aftë, të disiplinuar dhe të përgatitur për t’u përballur me sfidat e sigurisë brenda dhe jashtë vendit”, theksoi Syla.

    Shefi i Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT), Christian Nawrat, në fjalën e tij para të pranishmëve, tha se është shumë e rëndësishme të mbahen marrëdhënie të ngushta dhe të besueshme midis palëve.

    Ai shprehu besimin që kjo konferencë do të lejojë angazhim në një mirëkuptim edhe më të madh për vitin e ardhshëm.

    “NATO mbetet tërësisht e përkushtuar për të luajtur rolin e saj në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, në mbarë rajonin, veçanërisht në sfondin e tensioneve për të cilat jemi të gjithë të vetëdijshëm”, theksoi Nawrat.

    Ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, tha se Türkiye mendon që mbajtja e sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit rajonal është çështje kritike.

    Angılı tha se NATO-ja përmes KFOR-it dhe bashkëpunimit bilateral kontribuojnë një ambient të sigurt dhe “Türkiye ka kënaqësinë që të ofrojë mbështetje dhe bashkëpunim po ashtu përmes komandantit të KFOR-it”.

    “Ne kemi një lidhje të veçantë me gjithë Ballkanin duke përfshirë edhe Kosovën. Këto lidhje përcaktojnë edhe politikat tona drejtë Ballkanit. Në linjën tonë përmes këtyre vijave ne dëshirojmë që të ofrojmë paqe dhe siguri këtu dhe ky është qëllimi ynë kryesor, që të bashkëpunojmë me FSK-në përmes kornizave të NATO-s”, theksoi Angılı.

    Angılı tha se përmes granteve ushtarake deri më tani Türkiye i ka ofruar më shumë se 14 milionë dollarë në kuptimin e pajisjeve FSK-së, ndërsa mbi 500 anëtarë të stafit të FSK-së kanë marrë trajnime në Türkiye deri më tani.

  • A është hallall ushqimi i cili përgatitet në të njëjtën enë në të cilën përgatitet edhe mishi i derrit?

    A është hallall ushqimi i cili përgatitet në të njëjtën enë në të cilën përgatitet edhe mishi i derrit?

    Pyetja:

    A është e lejuar të hahet ushqimi i cili përgatitet në të njëjtën enë në të cilën përgatitet edhe mishi i derrit?

    ***

    Përgjigjja:

    Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

    Nëse ena e përdorur për të përgatitur mishin e derrit, pastrohet dhe është e pastër, atëherë lejohet të përdoren dhe lejohet të hamë nga ato ushqime, por nëse nuk pastrohen dhe bëhet përzierja e gjellëve ose diçka e ngjashme me këtë, atëherë nuk është e lejuar.

    Trajtimi i kësaj meseleje te dijetarët bëhet kur ata flasin rreth ushqimeve të ithtarëve të librit (krishterët dhe çifutët) dhe gjatë komentimit të ajetit: “Sot u lejuan për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therrurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therrurat) tuaja janë të lejuara për ta (u janë lejuar).” (Maide, 5). Allahu e di më së miri!

    Alaudin Abazi