Category: Agjërimi Pyetje

  • Si mund ta gjejmë natën e Kadrit?

    Si mund ta gjejmë natën e Kadrit?

    Kërkimi i natës së Kadrit

    Prej urtësisë së Allahut të Gjithëdijshëm është që të mos jetë e përcaktuar qartë se kur është nata e Kadrit. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut Muhamedi (alejhissalatu uesselam) na ka porositur duke na thënë: “Kërkojeni atë në dhjetë ditëshin e fundit të Ramazanit, në netët teke.” Transmetoi Ahmedi. Sidoqoftë, shumica e dijetarëve islamë janë të mendimit se nata e Kadrit është në natën e 27 të Ramazanit, kjo sipas argumenteve të tërthorta, të marra së bashku, që japin shenjë më shumë për këtë natë. Gjithsesi, besimtari i mirë është ai që ndjek traditën profetike dhe tregon përkushtim e devotshmëri duke iu lutur Allahut të Madhëruar në të gjitha netët.

    Mustafa Terniqi / “Udhërrëfyesi Islam”

  • “Kriza e urisë katastrofike është e afërt në veri të Gazës”

    “Kriza e urisë katastrofike është e afërt në veri të Gazës”

    Pyetje: Ankoj nga sëmundja e sheqerit; Nga unë kërkohet të bëj disa analiza të gjakut, të cilat saktësisht m’i bëjnë në gisht. A ma prishë kjo agjërimin?!

    Përgjigje: Sa i përket dhënies së gjakut për analiza, qofshin ato për rastin e sëmundjes së sheqerit, a për diçka tjetër, kjo ska kurrfarë problemi, përkatësisht nuk ua prishë agjërimin. Sikurse as që mund ta barazojmë e ta konsiderojmë për të njëjtë dhënien e gjakut për analiza me hixhamen. Madje, edhe ata që kanë thënë se hixhameja e prishë agjërimin, e kanë përjashtuar nga ky vendim dhënien e gjakut për analiza, ngase ky gjak është i pakët dhe nuk ndikon në dobësimin e njeriut, ashtu sikurse ndikon hixhameja. Gjithashtu vlen të përmendim se ne i japim përparësi dhe epërsi mendimit se hixhameja nuk e prishë agjërimin.

    Shejh Dr. Abdulaziz El-Fevzan[1]

    Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

    [1] Fetvaja me nr. 6, nga episodi me nr. 1, i programit televiziv “Fetava” në kanalin satelitor Delil, i mbajtur më datë 14.09.1429h.

  • Pse është e veçantë Nata e Kadrit?

    Pse është e veçantë Nata e Kadrit?

    Pyetja:

    Pse nata e kadrit është shumë me rëndësi dhe është natë e veçantë, çka ka ndodhur në këtë natë? A hapet qielli dhe a mundemi me vërejtë hapjen e qiellit?

    ***

    Përgjigjja:

    Nata e kadrit ka vlerë të madhe në Islam, dhe kjo është e njohur nga burimet Islame, nga Kurani dhe suneti. Transmetohet prej Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: Kur erdhi Ramazani, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: ”Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaj i bekuar në të cilin Allahu ua ka obliguar agjërimin. Në të hapen dyert e Xhenetit e mbyllen dyert e zjarrit. Në të prangosen djajtë. Në të ka një natë e cila është ma e mirë se njëmijë muaj. Kush privohet nga të mirat e saj, ai është i privuari i vërtetë.” [1]
    Kjo është nata kur ka filluar të shpallet Kurani, për atë edhe ka vlerë të veçantë në Islam. Poashtu në këtë natë zbresin melekët me urdhërin e Allahut, dhe kjo natë është paqë deri në mëngjes. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.” (Kadr: 35)

    Poashtu, për rëndësinë dhe vlerën e kësaj nate, tregon edhe vetë i Dërguari i Allahut ﷺ. Në mes tjerash, ai ka nënvizuar se në këtë natë, Allahu i Madhërishëm ua falë mëkatet robërve të Vet. Transmetohet prej Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Kush e kalon natën e Kadrit me adhurim duke besuar dhe llogaritur (në shpërblimin e Allahut), i falen mëkatet që i ka bërë më parë.” [2]

    Ndërkaq për çarjen e qiellit, këto janë fjalë që nuk janë të vërteta dhe nuk duhet të presësh asnji veprim të këtillë. Njeriu i sotëm nuk duhet të presë që ta shohë qiellin se do të çahet, por atë kohë duhet ta kalojë në adhurim që mos i kalojnë këto çaste të dobishme dhe të çmueshme pa adhurim.

    Allahu e di më së miri.

    Bashkim Aliu

    ———————————–
    [1] Ahmedi dhe Nesaiu

    [2] Buhariu dhe Muslimi

  • A lejohet të marrim borxh për të paguar vitrat?

    A lejohet të marrim borxh për të paguar vitrat?

    Pyetja:

    Nëse nuk kemi para për të paguar vitrat, a lejohet t’i huazojmë parat për një kohë të caktuar në mënyrë që të paguajmë vitrat?

    ***

    Përgjigjja:

    Në këto raste nuk e ka obligim por lejohet që të marr borxh dhe të paguajë vitrat. Gjithashtu familjarët dhe shokët e këtij personi duhet të i ndihmojnë këtij personi dhe të ia mundësojnë që të paguajë sadakatul-fitrat.

    Një shembull i mirë i një vëllau, shoku musliman do të ishte që të ia jepte 100 euro këtij personi dhe t’i thoshte: “Paguaj vitrat për ty dhe familjen, e tjerat mbaji për vete.”

    Anën tjetër, personi i cili nuk e ka obligim të jap vitra por është në kategorinë që duhet t’i japin të tjerët, nëse atij i japin vitra dhe i grumbullohen mjaftueshëm para atëherë në këtë rast atij i obligohet të i jap vitrat.

    Ngase ka njerëz që e meritojnë të japin sadaktul-fitrin, ngase nuk kanë asgjë janë të varfër. Por që më pas kur i japin njerëzit në vazhdimësi dhe atij i bëhet një shumë pasurie tani edhe atij i bëhet borxh të jap sadaktul-fitrin.

    Dr. Shefqet Krasniqi

  • Sa urtësi fshihen pas agjërimit?

    Sa urtësi fshihen pas agjërimit?

    Pyetja:

    Sa urtësi fshihen pas agjërimit?

    ***

    Përgjigjja:

    Këtë udhëtim të bukur do ta vazhdojmë me disa urtësi të një adhurimi madhështor, agjërimit, e të cilat, bazuar në hulumtime dhe studime, tash së voni i kanë zbuluar shkencëtarët.

    Kur i sëmuri t’i ketë “çuar duart” nga mjekët dhe shpresa për shërim të ketë humbur ose është shumë e paktë, atëherë hapi më i qëlluar që merret është kthimi tek ilaçi që nuk kushton asgjë – agjërimi. Hulumtuesit në sekretet e shërimit kanë gjetur dobi të reja të agjërimit, e që në fakt janë të panumërta. Ata në fokus kanë patur spitalet e avancuara në të cilat mjekimi bëhet sipas sistemit shërues që mbështetet në agjërimin si bazë për shërim efektiv.

    Në vijim keni një përmbledhje të rezultateve tek të cilat arritën tash së voni mjekët dhe ekspertët:

    1. Hulumtimet në teren e që target apo fokus grup patën një numër të madh të sëmurësh kanë vërtetuar se agjërimi shëron kancerin dhe se ndikon, në njërën anë në bllokimin e qelizave kancerogjene dhe në anën tjetër frenon shkaqet që shkaktojnë çrregullime në sistemin e punës së qelizave. Së këndejmi, mjekët porosisin për domosdoshmërinë e agjërimit si ilaç ruajtës, i cili pengon shndërrimin e qelizave të shëndosha në qeliza të infektuara me kancer.

    Subhanallah! Është vërejtur dallim i madh në përqindjen e të goditurve me kancer ndërmjet atyre që agjërojnë, sidomos atyre që agjërojnë sipas mësimeve islame, dhe atyre që nuk agjërojnë!

    2. Me avancimin dhe përparimin teknologjik dhe ndotjen që bartë me vete ky zhvillim, qoftë kjo ndotje me helme, apo ndotje energjike, ndotje zhurmuese për shkak të zhurmës dhe ndriçimit të tepërt gjatë natës, ekspertët kanë zbuluar një sekret të ri tek agjërimi disa ditor, i cili largon këto helme nga trupi pa efekte anësore. Kirurgët janë të paaftë për të larguar të gjitha helmet nga qelizat e trupit ngase trup përmban hiç më pak se disa miliardë qeliza, kështu që në këto raste agjërimi paraqitet për të pastruar këto qeliza pa ndonjë dëm. Kjo s’ka si të mos jetë sekret prej sekreteve të agjërimit.

    3. Kush nuk vuan prej nesh nga brengat e shumta të kësaj kohe për shkak të problemeve materiale, psikike, shoqërore dhe të tjera si pasojë e shekullarizmit?! Ekonomia amerikane vetëm për problemet psikike paguan një kosto vjetore prej miliarda dollarësh edhe pse nuk sheh ndonjë rezultat konkret nga këto shpenzime. Ekspertët e fushave të ndryshme kanë vërtetuar se agjërimi ka ndikim marramendës në qetësimin dhe stabilizimin shpirtëror të njeriut si dhe në zgjidhjen e një mori të madhe problemesh shoqërore dhe familjare të tij.

    4. Si sëmundje e kësaj kohe merret mbipesha e cila shkakton sëmundje tjera të rrezikshme si ato të zemrës, tensionit të gjakut, diabetit, kolesterolit, kurrizit, etj. realisht prej këtyre apo prej disa prej tyre vuan gjysma e shoqërisë. Me gjithë përparimin e mjeteve mjekuese, mjekët vazhdojnë me ngulm të vërtetojnë se agjërimi është shërimi i vetëm efektiv për të gjitha këto sëmundje. I Madhëruar qofsh o Allah!

    5. Agjërimi është shërues nga shumë doke dhe zakone të këqija që shpërbëjnë shoqërinë, si konsumimi i duhanit, lëndëve narkotike, alkoolit, shikimit në gjëra të ndaluara. Nuk ka vend për tu çuditur për rëndësinë e agjërimit kur shohim se ata që preferojnë agjërimin si mënyrën më përfikte për shërim janë pikërisht mjekët jomyslimanë.

    6. Rinia e sodit ankohen shume për pamundësi martese për shkak të ndërlikimit të procedurave të martesës dhe mos zbatimit të lehtësimeve islame përkatëse, kështu që në mungesë të një martese të ligjshme, ata nën presionin e epshit, bijnë në mëkat (amoralitet). Për të mbajtur të riun nën kontrollë, mjekët porosisin që të konsumohet sa më pak ushqim dhe ujë, e mundësisht të agjërohet, ngase uria ia largon të riut mendimin nga harami apo e ndaluara dhe pakëson sekretimin e hormoneve përgjegjëse për këtë, kështu që agjëruesi ndien një rehati shpirtërore që nuk mund të përshkruhet.
    7. Një studim i ri ka vërtetuar se agjërimi zgjat jetën e qelizave dhe ngrit sistemin imunitar të njeriut, e si rezultat agjëruesit në krahasim me të tjerët jetojnë më gjatë. Këto janë disa sekrete të agjërimit që ftojnë besimtarin të shijojë ëmbëlsinë e këtij adhurimi sidomos tash në Ramazan. Ngritja e fuqisë efektive tek agjëruesit si pasojë e abstenimit nga ushqimi dhe pija, dhe shtimi i fuqisë së qelizave imunitare për të kryer punën e tyre dhe për të freskuar dhe aktivizuar sistemin imunitar nënkupton një gjë të rëndësishme, dhe e cila është: fuqia e trupit të agjëruesit për të shëruar të gjitha sëmundjet pa përjashtim. O Zot, pa të meta je!

    Përfundimisht, sado që të hulumtojmë për urtësi të agjërimit, fundin nuk do e arrijmë kurrë. Dobitë e agjërimit nuk mund të numërohen por retorika hyjnore eshte ajo që të gjitha këto urtësi na i përmbledh me pak fjalë:

    “… Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.” (Bekare: 184)

    E lusim Allahun që të na ndihmojë për agjërim dhe namaz jo vetëm në këtë muaj të madhërishëm të ramazanit por gjatë gjithë vitit, sikur që shpresojmë tek lexuesit tanë se këtë hulumtim që e kanë si dhuratë do ta shpërndajnë tek miqtë e tyre. Ndoshta Allahu na bën dobi me të gjithë neve!!!

    Abdu-d-Daim el-Kehil
    Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI

  • Çfarë begatie është ta arrijmë Ramazanin?

    Çfarë begatie është ta arrijmë Ramazanin?

    Pyetja:

    Çfarë begatie është ta arrijmë Ramazanin?

    ***

    Përgjigjja:

    Arritja e Ramazanit është begati për muslimanët. Përshkrimet për te janë të mangta nga njerëzit, por në një hadith Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ju ka ardhur juve Ramazani, muaj i bekuar. Allahu e ka bërë detyrë për ju agjërimin e tij. Në të hapen dyert e Xhenetit, dyert e Xhehenemit mbyllen dhe shejtanët lidhen me zinxhirë. Allahut i përket një natë në të, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kushdo që pengohet nga e mira e saj, atëherë ai është privuar.” [1]
    Hadithi është përgëzim për robërit e drejtë të Allahut, për ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit. Pejgamberi ﷺ i njoftoi shoqëruesit e tij për ardhjen e tij (Ramazanit) dhe kjo nuk ishte vetëm një lajmërim i thjeshtë. Më saktë, qëllimi i tij ishte që t’i përgëzojë ata për një kohë madhështore të vitit, që njerëzit e mirë të cilët janë të shpejtë në bërjen e punëve të mira t’i japin atij vlerën që i takon. Kjo sepse Pejgamberi ﷺ shpjegoi në të (hadith) atë çka Allahu ka përgatitur për robërit e Tij nga rrugët që çojnë drejt faljes dhe kënaqësisë së Tij, dhe ato janë shumë rrugë. Pra, kujtdo që i ikë falja gjatë muajit të Ramazanit, atëherë ai është privuar me privimin më të madh.
    Prej përkrahjes dhe të mirave që Allahu u ka dhuruar robëve të Tij, është ajo se Ai ka përgatitur për ta rrethana meritore ashtu që të jenë të dobishme për ata që i binden Atij, dhe një garë për ata që ngarendin të garojnë (në vepra të mira). Këto rrethana meritore janë çaste për përmbushjen e shpresave, duke u përpjekur në dëgjueshmëri dhe duke i larguar gabimet dhe mangësitë më anë të vetëpastrimit dhe pendimit. Nuk ka asnjë moment të vetëm në këto kohëra të dobishme përveçse Allahu të ketë caktuar në të punë të dëgjueshmërisë me të cilat njeriu mund t’i afrohet Atij. Allahu posedon gjërat më të mrekullueshme si dhurata, të cilat Ai ia dhuron atij që Ai do me Mëshirën dhe Mirësinë e Tij. Pra, ai që e arrin lumturinë e vërtetë është ai i cili i përdor përparësitë e këtyre muajve, ditëve dhe çasteve të dobishme dhe i afrohet më shumë në to Kujdestarit të tij, duke bërë atë që është e urdhëruar në to prej akteve të bindjes. Kështu, ndoshta ai do të kaplohet me ndonjërën prej shumë bekimeve të këtyre rrethanave dhe të ndihmohet nga kjo, me një ndihmë që e shpëton atë nga Zjarri dhe ajo çka përmban ai, siç është nxehtësia flakëruese. [2]
    Mundësia e arritjes së Ramazanit vetvetiu është një e mirë madhështore, e dhuruar atij që e arrin atë dhe përmirësohet me rastin e saj duke qëndruar në namaz gjatë natës së saj dhe duke agjëruar ditën e saj. Në të, ai i kthehet Mbrojtësit të tij – prej mosbindjes ndaj Tij në bindje ndaj Tij, prej harresës ndaj Tij në përkujtimin ndaj Tij, nga të qenit larg prej Tij në të kthyerit kah Ai me pendim nënshtrues. Muslimani duhet të jetë i vetëdijshëm për të mirat e tij dhe të pranojë rëndësinë e saj. Se vërtet shumë njerëz janë të parandaluar nga të agjëruarit, ose për shkak se vdesin para se ta arrijnë atë, ose nuk janë në gjendje që ta kryejnë atë, ose për shkak se e kundërshtojnë atë dhe largohen prej tij. Kështu, ai që agjëron duhet ta lavdërojë Zotin e tij për këtë të mirë dhe ta presë këtë muaj më gëzim dhe kënaqësi, sepse mirëpritet një kohë madhështore e vitit me të gjitha rrethanat për kryerjen e dëgjueshmërisë. Ai duhet të përpiqet thellësisht në bërjen e veprave të mira. Ai duhet ta lusë Allahun që t’i japë atij agjërim dhe qëndrim në namazin e natës, dhe ta pajisë atë me seriozitet, entuziazëm, fuqi dhe energji në këtë muaj, dhe që Ai ta zgjojë atë prej gjumit të tepërt dhe të shkujdesur, ashtu që ai t’i përdorë përparësitë e këtyre kohërave të dobishme të së mirës. Është e pafat që gjejmë se shumë njerëz nuk e dinë vlerën e këtij rasti, dhe as që e konsiderojnë atë të jetë i shenjtë. Pra, muaji i Ramazanit më nuk bëhet kohë e rëndësishme për dëgjueshmëri, adhurim, lexim Kur’ani, dhënie të lëmoshës dhe përkujtimin e Allahut. Por, për disa njerëz kjo bëhet kohë e rëndësishme që ta larmojnë ushqimin dhe pijet e tyre dhe për përgatitjen e gjellërave të ndryshme para se të fillojë muaji. Disa njerëz të tjerë nuk e njohin Ramazanin, përveç si një muaj të pagjumësisë dhe tubimeve periodike të vazhdueshme dhe flejnë ditën. Kjo është deri në pikën që disa prej tyre flejnë pas kohës së namazeve të detyrueshme, duke mos i falur ato me xhemat apo në kohën e duhur të tyre. Njerëzit tjerë nuk e njohin Ramazanin, përveç si një kohë të rëndësishme për udhëheqjen e çështjeve të kësaj bote, jo si kohë të rëndësishme për udhëheqjen e çështjeve të Jetës së Përtejme. Kështu, ata punojnë zellshëm në të, duke bërë shitblerje dhe duke qëndruar në zonat e tregjeve, si pasojë duke e lënë xhaminë. Dhe kur falen me njerëz, ata e bëjnë këtë në mënyrë të ngutshme. Kjo sepse ata e gjejnë
    kënaqësinë e tyre në tregje. Kjo është përmasa deri në të cilën nocionet dhe pikëpamjet e Ramazanit janë ndryshuar.
    Disa nga Selefi thonin: “Vërtet, Allahu, më i Larti, e ka bërë muajin e Ramazanit një muaj të garimit për krijesat e Tij, në të cilin ata mund të garojnë me njëri-tjetrin për kënaqësinë e Tij, duke iu bindur Atij. Kështu, një grup vjen së pari dhe ata kanë sukses dhe grupi tjetër vjen i fundit dhe ata dështojnë.” [3]
    Po ashtu, individi nuk e di nëse ky ndoshta është Ramazani i fundit që do ta shohë në jetën e tij, nëse ai e përfundon atë. Sa burra, gra dhe fëmijë kanë agjëruar me ne vitin e kaluar, dhe janë shtrirë tashmë të varrosur në thellësitë e tokës, duke u varur në veprat e mira të tyre. Ata kanë pritur që të agjërojnë shumë më shumë Ramazana. Ngjashëm, edhe ne po ashtu do të ndjekim
    rrugën e tyre. Prandaj, muslimanit i takon që t’i gëzohet këtij rasti madhështor për dëgjueshmëri. Ai s’duhet ta refuzojë atë, por në vend të kësaj të angazhohet në atë që do t’i bëjë dobi atij dhe në atë që do të bëjë të mbeten ndikimet e tija. Çfarë është tjetër ai, përveç një numër ditësh të cilat agjërohen njëra pas tjetrës dhe të cilat përfundojnë shpejt. Allahu na bëftë ne e gjithashtu edhe juve prej atyre të cilët janë më të shquarit në bërjen e veprave të mira.

    Abdullah ibn Salih el-Feuzan

    ————————

    [1] Ahmedi dhe Nesa’iu. Shiko kontrollimin e Ahmed Shakirit të Musnedit (f. 7148) dhe Sahih et-Terghib uet-Terhib të el-Albanit (1490) si dhe Tamam-ul-Mineh (395)

    [2] Këto janë fjalët e Ibn Rexhebit në Lata’if-ul-Ma’arif: f.8

    [3] Lata’if-ul-Ma’arif të Ibn Rexhebit: faqe 246

  • Me çfarë etike duhet pajisur agjëruesi?

    Me çfarë etike duhet pajisur agjëruesi?

    Pyetja:

    Me çfarë etike duhet pajisur agjëruesi?

    ***

    Përgjigjja:

    Elementët kryesorë të etikës ose mustehabet e agjërimit janë këto:

    Ngritja në syfyr.
    I Dërguari i Allahut ﷺ, në një hadith ka thënë: “Ngrihuni në syfyr se në ngritjen dhe në ngrënien në syfyr ka bereqet!” Kurse në një hadith tjetër ka thënë kështu: “Fuqizojeni agjërimin e ditës me ngrënien e syfyrit dhe namazin e natës (tehexhud) me gjumin e drekës!” Ushqimi i syfyrit i jep fuqi njeriut për ta përballuar agjërimin dhe kështu mbajtja e agjërimit bëhet më e lehtë.

    Ngrënia e syfyrit vonë, kurse hapja e iftarit menjëherë sapo t’i hyjë koha, domethënë sapo të perëndojë dielli. Në një hadith profetik thuhet: “Për sa kohë që njerëzit të shpejtohen në ngrënien e iftarit dhe ta vonojnë ngrënien e syfyrit, do të jetojnë në mbarësi!” Kurse në një hadith të shenjtë, thuhet: “Më i dashuri i robve të mi është ai që nxitohet shumë për të ngrënë iftar!”
    I Dërguari i Allahut ﷺ nuk e falte namazin e mbrëmjes pa prishur iftar. Në fillim e çelte agjërimin me nja dy kokrra hurma ose, në mungesë të tyre, me disa të gllënjka ujë, pastaj falte namaz dhe pas tij bënte hapjen e vërtetë të iftarit. Ky rrëfim që na vjen prej Zejd b. Thabitit mbi çështjen se gjer kur mund të shtyhet iftari, na jep neve një kriter: “Ne po hanim syfyr bashkë me të Dërguarin e Allahut. Pastaj falëm namazin e agimit. Enesi pyeti: “Sa kohë kishte mes syfyrit dhe namazit të agimit?” Sa për të kënduar 50 ajete!”

    Kjo kohë ose ky interval e ka vlerën rreth 15-20 minuta. Për këtë, disa japin si shembull suren Hakka, kurse disa të tjerë. suren Murselat. Sureja Hakka ka 52 ajete, kurse sureja Murselat, 50 ajete.

    Duke u nisur nga ky rrëfim, dijetarët kanë konkluduar se ngrënia e syfyrit duhet lënë afërsisht 15-20 minuta para imsakut.

    Duke hapur iftarin, duhet bërë kjo lutje: “Allahumme leke sumtu ue bike amentu ue alejke teuekkeltu ue ala rizkike eftartu!” Kuptimi: “Allahu ynë, vetëm për pëlqimin tënd agjërova, Ty të besova, tek Ti u mbështeta dhe Ty t’u dorëzova! Dhe me atë që më ke dhënë Ti si ushqim, agjërimin çela!”

    Hapja ose çelja e iftarit me gjë të ëmbël si hurma ose me ujë.

    Një etikë e rëndësishme e agjërimit është, si privimi i stomakut, edhe privimi, domethënë, një lloj agjërimi, i të gjitha ndjenjave dhe mendimeve. Përveç stomakut, njeriu komunikon me botën e jashtme ose merr nga ajo edhe me anë të syve, veshëve, ndjenjave, imagjinatës, mendimit. Duke qenë i agjëruar, njeriu duhet t’i privojë (t’i pengojë) të gjitha këto nga gjërat e kota dhe harame, për t’i shtyrë në detyrën e tyre specifike të lartë si dhe në adhurimin e Zotit. Për shembull, ta mbajë gjuhën larg gënjeshtrës, përfoljes, fjalëve fyerëse dhe të shëmtuara për ta preokupuar me këndim Kurani, me dhikr, tesbih, salavat dhe istigfar.

    Pengimi i syve nga shikimi i intimiteteve të huaja për t’ia kushtuar vështrimit të objekteve dhe dukurive nga të cilat nxirret mësim; pengimi i veshëve nga dëgjimi i gjërave të këqija për t’ua kushtuar dëgjimit të fjalëve të vërteta dhe këndimit të Kuranit. Ja, kështu bëhet i mundur agjërimi jo vetëm me stomak, por edhe me organet e shqisave, me ndjenjat dhe mendimet. Vetëm në këtë mënyrë realizohen edhe përkryerja dhe virtyti të pritura nga agjërimi. Në një hadith të tijin, Profeti ﷺ ka thënë kështu: “Kush nuk e lë thënien e gënjeshtrave dhe veprimin me anë të tyre, Zoti nuk i jep vlerë agjërimit të tij (faktit që ai rri pa ngrënë e pa pirë)!” Kurse në një hadith tjetër profetik thuhet kështu: “Pesë gjëra e prishin agjërimin (ia heqin mirësinë dhe vlerën): gënjeshtra, përfolja pas shpine, thashethemet, betimi në gënjeshtër dhe shikimi me epsh!” Siç shihet, në hadithet profetike, për agjërimin e pranuar në lartësinë e Allahut, përqendrohet mbi domosdoshmërinë e “agjërimit” edhe të organeve të shqisave, të ndjenjave dhe mendimeve. Ibni Haxher thotë: “Agjërimi i plotë dhe i përkryer është qëndrimi larg nga të gjitha gjynahet dhe gjërat e ndaluara nga Allahu!”

    Në iftar dhe syfyr nuk duhet ngrënë me të tepërt, nuk duhet mbushur stomaku me të rrasur. Edhe kjo është pjesë e etikës së agjërimit. Sepse një ndër synimet e agjërimit është edhe lehtësimi dhe qetësimi i trupit dhe shpirtit, është dhënia mundësi organeve të trupit të pushojnë dhe ripërtërihen. Të rrish pa ngrënë gjer në mbrëmje dhe pastaj, sapo ta dëgjosh ezanin, të ulesh në sofër për të ngrënë me uri dhe dëshirë të madhe duke e mbushur stomakun sa s’ka ku të shkojë më, kjo sjellje bie në kundërshtim me etikën e agjërimit. Madje, është e dëmshme për shëndetin, sepse organet e tretjes rëndohen shumë përballë këtij sulmi dhe kësaj trysnie të ushtruar mbi to. Prandaj në syfyr dhe iftar nuk duhet ngrënë me grykësi dhe pangopësi. Duke ngrënë pak e saktë, duhet vepruar në përshtatje me urtësinë dhe qëllimin e agjërimit!

    Në muajin e bekuar të Ramazanit, të gjithë besimtarët duhet të bëjnë më shumë adhurim, duhet ta falënderojnë me gjithë shpirt Allahun për të mirat e pafundme që na ka dhënë, duhet të bëjmë më shumë të mira. Këndimi dhe dëgjimi i Kuranit gjatë këtij muaji ka mirësi dhe shpërblime të mëdha. Prandaj, ata që dinë të këndojnë Kuran, duhet të këndojnë vetë më shumë se zakonisht, të paktën të bëjnë një hatme gjatë muajit të ramazanit. Kurse ata që nuk dinë të këndojnë vetë, duhet të shkojnë nëpër xhami për t’i dëgjuar ajetet e Allahut nga zëri i bukur i hafizëve. Vetëm në këtë mënyrë mund të tregohet për muajin e ramazanit respekti për të cilin ai është i denjë.

    ~Përkthim

  • Më kanë mbetur disa ditë nga muaji i Ramazanit, si mund t’i shlyej këto ditë pa agjëruar?

    Më kanë mbetur disa ditë nga muaji i Ramazanit, si mund t’i shlyej këto ditë pa agjëruar?

    Pyetja: Më kanë mbetur disa ditë nga muaji i Ramazanit, si mund t’i shlyej këto ditë pa agjëruar?

    Përgjigja: Nuk mundet njeriu që mos të agjërojë ditët e mbetura nga Ramazani duke i shlyer në një formë tjetër, vetëm nëse nuk ka mundësi, pra, ka një sëmundje e cila është sëmundje e përhershme, sëmundje e cila nuk ka shërim, ose është i pafuqishëm, nuk shpreson se do të shërohet, në këtë rast vetëm, përndryshe nuk mund t’i shlyejë ditët e agjërimit të Ramazanit vetëm se duke agjëruar. Kështu që nuk mund t’i shlyejë vetëm se nëpërmjet agjërimit. Pra, ditët mbetura të Ramazanit shyhen duke agjëruar, përveçse nëse një person ka një sëmundje të përhershme, sëmundje të pashërueshme e cila nuk ia lejon atij agjërimin, në këtë rast i lejohet atij që ta shpaguajë apo të ushqejë të varfërit e kështu me rradhë, përndryshe nuk ka tolerancë për këtë çështje.

    Dr. Imam Ahmed Kalaja

  • Si mund të përfitojë nga mirësitë e natës së Kadrit një grua me menstruacione?

    Pyetja:

    Si mund të përfitojë nga mirësitë e natës së Kadrit një grua me menstruacione?

    ***

    Përgjigjja:

    Falënderimi i takon Allahut.

    Gruaja me menstruacione mund t’i kryejë të gjitha ibadetet përveç faljes, agjërimit, tavafit të Qabes dhe itikafit në xhami. Është transmetuar se Pejgamberi ﷺ rrinte zgjuar natën gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Kur të vinin dhjetë netët e fundit të Ramazanit, Profeti ﷺ përmbahej nga marrëdhëniet martesore, rri natën zgjuar dhe zgjonte familjen e tij.” [1] Qëndrimi zgjuar natën nuk është vetëm për namaz, por përfshin të gjitha llojet e ibadeteve. Kështu e kanë interpretuar dijetarët. El-Hafiz ka thënë: “Të qëndrosh zgjuar natën” do të thotë të qëndrosh zgjuar për të kryer ibadete. El-Nevevi ka thënë: “Të kalosh natën duke qëndruar zgjuar për t’u falur etj. Ai ka thënë: “D.m.th., në namaz, dhikër dhe recitim të Kuranit.” [2]
    Falja e namazit të natës është adhurimi më i mirë që një person mund të bëjë në Natën e Kadrit. Prandaj Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush e kalon natën e Natës së Kadrit me namaz me besim dhe me shpresë në shpërblim, atij i falen mëkatet e mëparshme”. [3]
    Për shkak se gruas me menstruacione nuk i lejohet të falet, ajo mund ta kalojë natën duke bërë ibadete të tjera përveç namazit, si p.sh. 1- Leximi ose recitimi i Kuranit.
    2- Dhikri – si për shembull të thotë Subhan-Allah, La ilahe il-lAllah, Elhamdulilah, Allahu ekber. (Lavdia i takon Allahut, lavdërimi i qoftë Allahut, nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Allahu është më i madhi)” dhe “Subhan Allah ue bi hamdihi, subhan Allah il-‘Adhim (Lavdia dhe lavdërimi i qoftë Allahut, lavdërimi i qoftë Allahut i Plotfuqishmi).” etj.
    3- Istigfar (lutja për falje), duke përsëritur shprehjen “EstagfiruAllah (I lutem Allahut për falje). 4- Dua (lutje) – ajo mund t’i lutet Allahut dhe t’i kërkojë Atij atë që është e mirë në këtë botë dhe në botën tjetër, sepse duaja është një nga ibadetet më të mira. Profeti ﷺ ka thënë: “Duaja është ibadet (adhurim). [4]
    Gruaja me menstruacione mund t’i bëjë këto ibadete dhe të tjera në Natën e Kadrit. E lusim Allahun të na ndihmojë të bëjmë atë që Ai e do dhe që e kënaq Atë. Allahu na i pranoftë veprat e mira.

    islamqa.com

    ——————————

    [1] Buhariu 2401 dhe Muslimi 1174

    [2] ‘Awn el-Ma’bud

    [3] Buhariu, 1901; Muslimi, 760

    [4] Tirmidhiu, 2895

  • A lejohet përdorimi i aparaturës për zbardhjen e dhëmbëve gjatë ditës në Ramazan?

    Pyetja:

    A lejohet përdorimi i aparaturës për zbardhjen e dhëmbëve gjatë ditës në Ramazan?

    ***

    Përgjigjja:

    Falënderimi i takon Allahut.

    Kompletet për zbardhjen e dhëmbëve përfshijnë kallëpe në formën e dhëmbëve, brenda të cilëve ka një substancë zbardhuese. Këto kallëpe mbahen mbi dhëmbë dhe lihen aty për një kohë të caktuar Ndikimi që këto komplete kanë në qëndrueshmërinë e agjërimit varet nga fakti nëse substanca rrjedh nga këto kallëpe në brendësi të gojës. Skenari i parë është kur ato vendosen fort mbi dhëmbë dhe mishrat e dhëmbëve, në mënyrë që asgjë të mos dalë në gojë, ose nëse del, agjëruesi mund ta pështyjë. Në këtë rast, këto kallëpe nuk ndikojnë në vlefshmërinë e agjërimit, sepse nuk ka asgjë që shkakton prishjen e agjërimit. Skenari i dytë është kur substanca rrjedh dhe agjëruesi e gëlltit atë. Në këtë rast agjëruesi nuk i lejohet t’i përdorë ato. Shejh Ibn Uthejmin ka thënë: Në lidhje me përdorimin e furçës së dhëmbëve dhe pastës së dhëmbëve gjatë agjërimit, duhet të zbatohet një nga dy skenarët: Në skenarin e parë, pasta e dhëmbëve është shumë e fortë dhe mund të arrijë në stomak, dhe përdoruesi nuk është në gjendje ta kontrollojë atë. Kjo është e ndaluar dhe nuk lejohet përdorimi i saj, sepse ajo shpie në prishjen e agjërimit dhe çdo gjë që shpie në diçka që është haram është gjithashtu haram. Sipas hadithit të Lakit ibn Saburah, Profeti ﷺ i tha: “Shpëlaje hundën tërësisht, përveç nëse je agjërues”. Pejgamberi ﷺ ka bërë përjashtim për shpëlarjen e hundës tërësisht nëse dikush është agjërues, sepse nëse njeriu e shpëlan hundën mirë kur agjëron, uji mund t’i rrjedhë në fyt, duke e prishur kështu agjërimin e tij. Prandaj themi: nëse pasta e dhëmbëve është e fortë dhe arrin në stomak, atëherë nuk lejohet përdorimi i saj në këtë situatë, ose së paku themi se është mekruh (i papëlqyer). Në skenarin e dytë, nëse nuk është aq i fortë dhe është e mundur të shmanget lënia e tij në stomak, atëherë nuk ka asgjë të keqe ta përdorni, sepse pjesa e brendshme e gojës është nën të njëjtin rregull si pjesa e jashtme, prandaj një njeriu mund ta shpëlajë gojën me ujë dhe kjo nuk ndikon në (agjërim). Nëse ajo që është brenda gojës do të kishte të njëjtin rregull si pjesa e brendshme e trupit, atëherë agjëruesit nuk do t’i lejohej ta shpëlani gojën.”

    Shejh Ibn Uthejmin, “Mexhmu’ Fetaua” 16/351

    Allahu e di më së miri.

    islamqa.com

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline