Category: Artikuj

  • LIGJI I KONFLIKTIT MES SË MIRËS DHE SË KEQES

    LIGJI I KONFLIKTIT MES SË MIRËS DHE SË KEQES

    Ligji i konfliktit mes së mirës dhe së keqes nënkupton atë të mundjes dhe luftës mes njerëzve, mes së mirës dhe së keqes, mes së vërtetës dhe së kotës, mes një populli dhe një populli tjetër.

    Ligji i konfliktit mes njerëzve është ligj hyjnor konstant qëkurse Allahu e krijoi njeriun dhe vazhdon të jetë aktiv deri në Ditën e Kiametit.

    Ibn Halduni (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dije se luftërat dhe betejat vazhdojnë të ndodhin te njerëzit qëkurse Allahu e krijoi njerëzimin. Ky realitet është i natyrshëm te njerëzimi dhe prej tij nuk shpëton asnjë popull e brez.”[1]

    Fraza dhe ëndrra e disa njerëzve “botë me paqe të vazhdueshme, pa armiqësi dhe urrejtje” është iluzion që s’mund të bëhet realitet asnjëherë. Ata dëshirojnë të përhapin këtë ide te masa e rëndomtë që njerëzimi të mos përgatitet për luftëra të caktuara, të cilat ndodhin patjetër.

    Për këtë ligj hyjnor dëshmon fjala e Allahut: “Sikur Allahu të mos i ndihmonte njerëzit e mirë kundër të këqijve, bota do të ishte shkatërruar. Por Allahu është shumë Bujar me krijesat e Veta.” (El Bekare, 251)

    Jobesimtarët i armiqësojnë besimtarët, idhujtarët i armiqësojnë monoteistët, pasuesit e risive i armiqësojnë pasuesit e Sunetit, pasuesit e së kotës i armiqësojnë pasuesit e së vërtetës, keqbërësit, zullumqarët dhe gjynahqarët i armiqësojnë të devotshmit dhe të ndershmit.

    Sikur të mos ekzistonte kjo rezistencë, keqbërësit do t’i shtypnin të drejtët, do të triumfonin dhe do të merrnin pushtetin në tokë: “Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtet, Allahu ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (El Haxh, 40)

    Fjalët e Allahut: “Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë…” aludojnë se mundësia vjen veç prej Allahut dhe se kjo rezistencë është ligj prej ligjeve të Allahut te njerëzimi.

    Allahu në këto ajete e qartësoi urtësinë e këtyre ligjeve, që është: “ruajtja e fesë nga rrënimi dhe ruajtja e dynjasë nga shkatërrimi.”

    Ajetet “Sikur Allahu të mos i ndihmonte njerëzit e mirë kundër të këqijve, bota do të ishte shkatërruar…” (El Bekare, 251) nënkuptojnë se, sikur të mos ishte kjo rezistencë dhe ndihmë prej Allahut, pasuesit e së kotës dhe keqbërësit do të triumfonin në Tokë, duke shkatërruar çdo gjë para vetes, derisa të shkatërrohej toka nga zullumi tyre, saqë do të boshatiseshin të mirat dhe do të paralizoheshin dobitë e tokës.

    Madje, edhe vendet për adhurim, si: manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, përkundër shenjtërisë dhe përcaktimit si vendadhurim, nuk do të shpëtonin nga zullumi tyre.[2]

    Mu për këtë, fundin e ajetit Allahu e përfundoi me fjalët: “Por Allahu është shumë Bujar me krijesat e Veta”, (El Bekare, 251) ku tregoi se nuk e la vetëm të kotën dhe pasuesit e saj që të dominojnë te njerëzit, por ia caktoi asaj të vërtetën dhe pasuesit e saj, që ta luftojnë të kotën derisa ta rrënojnë.

    Pamje reale nga konflikti mes së mirës dhe së keqes:

    Ky lloj konflikti mund të ndodhë mes pasuesve të së vërtetës dhe pasuesve të së kotës sikurse në Betejën e Bedrit, ku u përleshën besimtarët me idhujtarët; pastaj në Luftën e Ahzabit, ku besimtarët u përleshën me hebrenjtë dhe idhujtarët; në Betejën e Jermukut, ku u përleshën me romakët e krishterë; në Kadisije, ku u përleshën me persianët adhurues të zjarrit; në Betejën e Hitinit[3], ku u përleshën me kryqëzatat e krishtera; në Ajnul Xhalut[4], ku u përleshën me mongolët idhujtarë, të cilët e shkatërruan Irakun dhe Sirinë, duke vrarë vetëm në Bagdad dhe tokat përreth afër një milion myslimanë, siç e regjistrojnë librat e historisë.

    Ky lloj konflikti mund të ndodhë mes vetë pasuesve të së kotës, për shkak të garës për dynja, dashurisë për pushtet e pozitë dhe dëshirës për dominim dhe prestigj.

    Kur të ngrihet një shtet që e shfrytëzon fuqinë e vet për shkatërrime në Tokë dhe gjunjëzimin e popujve, prej urtësive të Allahut është të ngrejë një shtet tjetër, i cili, me fuqinë e tij, do ta sfidojë me luftë, derisa ta mposhtë dhe ta largojë të keqen prej njerëzve. Allahu i shtyn keqbërësit të luftojnë mes vete ose ua mundëson besimtarëve t’i mposhtin keqbërësit që të mos bëjnë shkatërrime në Tokë.

    * Në të kaluarën luftërat merrnin flakë mes grekëve të vjetër dhe persianëve.

    * Më pas luftërat zhvilloheshin mes perandorisë persiane dhe perandorisë bizantine.

    Në kohën bashkëkohore, kur Anglia u bë një nga superfuqitë, Allahu e forcoi Gjermaninë që t’i dalë përballë me fuqi. Kur u forcuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Allahu e ngriti Rusinë që t’i dalë përballë me fuqi. Kjo, që të mbahet baraspesha e fuqive botërore e të mos e përfshijë gjithë tokën tirania dhe e keqja e të mos i lihet e gjithë hapësira vetëm një fuqie në botë, që ajo pastaj të posedojë autoritet suprem mbi gjithë shtetet e tjera dhe kompetencë mbi mirësitë e kombeve të tjera.

    Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sikur Allahu të mos u kishte dhënë mundësinë të mbrojnë veten nga njëri-tjetri dhe sikur të mos i ndihmonte njerëzit e mirë kundër të këqijve, toka do të prishej dhe i forti do ta shkatërronte të dobëtin.”[5]

    Sikur Allahu ta linte të fortin prej njerëzve që ta mposhte të dobëtin dhe sikur të mos ia jepte të dobëtit mundësinë e mbrojtjes ose dëshirën për t’u mbrojtur, do të shkatërrohej i dobëti nga duart e të fortit e më pas do të shkatërrohej i forti nga duart e më të fortit dhe, në fund, do të shkatërrohej vetë më i forti, sepse të gjithë janë shkatërruar dhe nuk ka mbetur rival për ta armiqësuar. Kështu do të shkatërrohej e gjithë toka.

    Pra, lloji i parë i konfliktit e shfaq realitetin e armiqësisë së vazhdueshme mes besimtarëve e jobesimtarëve dhe mes pasuesve të së vërtetës e pasuesve të së kotës.

    Konflikti mes tyre daton qëkurse Allahu e krijoi njeriun: “Zbritni, – u thamë Ne, – do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Në Tokë do të qëndroni, do të keni furnizim e do të jetoni deri në një kohë të caktuar.” (El Bekare, 36)

    Ademi dhe pasardhësit e tij janë armiq të Iblisit, të pasardhësve dhe ndjekësve të tij sikurse Iblisi që është armik i Ademit dhe pasardhësve të tij.

    Kjo betejë do të përfundojë vetëm në prag të Kiametit, kur të paraqitet Dexhalli dhe kur të ndodhë beteja e përgjakshme e fundit (el melhemetu el ahira) me bizantinët, siç ka qartësuar në shumë hadithe Pejgamberi m.

    Si rrjedhojë, themi se konflikti mes së mirës (Islamit) dhe sherrit (kufrit) është konflikt i vazhdueshëm, që do të përfundojë kur myslimanët ta luftojnë Dexhallin dhe të zbresë Isai n që ta vrasë Dexhallin te Porta e Ludit, në tokën e Shamit, siç transmetohet në shumë hadithe të sakta.

    Vazhdimësia e këtij konflikti është vërtetuar prerazi me argument prej Kuranit: “Ata vazhdimisht do të luftojnë kundër jush, që të mund t’ju kthejnë nga besimi juaj.” (El Bekare, 217)

    Jobesimtarët nuk do të na lënë të lirë derisa ta braktisim krejtësisht fenë tonë e t’i bashkëngjitemi karvanit të kufrit (femohimit) pasi Allahu na shpëtoi prej tij: “As hebrenjtë, as të krishterët nuk do të jenë të kënaqur me ty, derisa të pranosh besimin e tyre. Thuaju: “Vetëm udhërrëfimi i Allahut është i drejtë!” E, në qoftë se pas diturisë që të ka zbritur, ti ndjek dëshirën e atyre, atëherë askush nuk do të të ndihmonte e as mbronte nga dënimi i Allahut.” (El Bekare, 120)

    Thirrja për bashkëjetesë në paqe me pasuesit e së kotës është thirrje e rremë dhe mashtruese, fjalë që në pamje të jashtme duken të drejta, por që pas tyre fshihet e kota dhe mashtrohet masa e gjerë.

    Konflikti mes besimtarëve dhe jobesimtarëve nuk përkufizohet vetëm në aspektin e luftimit, po aq i gjerë që është saqë përfshin çdo sferë të jetës. Ai herë mund të jetë konflikt luftimi, herë mund të jetë konflikt ideologjie dhe besimi. Mu për këtë, ekziston rezistencë ekonomike, shoqërore, politike, intelektuale dhe mediatike.

    Ibn Tejmija (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Lufta në rrugën e Allahut është e shumëllojshme: bëhet me dorë, me zemër, me thirrje në fenë e Allahut, me argumentim, me gjuhë, me opinion dhe me ide, me prodhim etj. Pra, obligohet me të gjitha mundësitë dhe aftësitë që posedon njeriu.”[6]

    Dr. Muhamed el Munexhidi

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Fragment nga libri: “LIGJET E PANDRYSHUESHME TË ALLAHUT TE KRIJESAT E TIJ” (I përkthyer në gjuhën shqipe)

    [1] “Mukadime”, Ibn Haldun (f. 145).

    [2] Për shkak se ato janë ngritur për ta adhuruar Allahun. Kjo është arsyeja pse nuk u përmenden vendet ku adhurohen idhujt dhe vendet ku adhurohet zjarri. Në ajet lavdërohen faltoret që janë ngritur para shfuqizimit dhe ndryshimit të librave të tyre, e me ardhjen e Islamit si feja e fundit dhe vula e feve, këto faltore ishin vende që binin në kundërshti me atë që e kërkonte Allahu. Kjo është njëlloj si ai që i lavdëroi Allahut çifutët dhe të krishterët, të cilët jetonin para shfuqizimit dhe ndryshimit që e shkaktuan në fetë e tyre, sepse ata besonin në Allahun, në Ditën e Kiametit dhe bënin punë të mira. (Sh. p.)

    [3] Beteja ka ndodhur më 25 rebiul ahir të vitit 583 hixhrij. Hitin është një fshat në Palestinë. (Sh. p.)

    [4] Beteja ndodhi më 25 ramazan të vitit 658 hixhrij. Ajnul Xhalut ndodhet në Palestinë. (Sh. p.)

    [5] “Tefsir Ibn Kethir” (5/435).

    [6] “El Fetava el Kubra”(5/538).

  • LIGJET E PANDRYSHUESHME TË ALLAHUT TE KRIJESAT E TIJ

    LIGJET E PANDRYSHUESHME TË ALLAHUT TE KRIJESAT E TIJ

    Allahu thotë: “Para jush kanë kaluar shumë shembuj (popujsh nga ndjekësit e profetëve që u ndodhi ajo që po ju ndodh edhe juve). Prandaj udhëtoni nëpër botë dhe shihni si ishte fundi i atyre që i përgënjeshtruan profetët. Këto janë lajme të qarta dhe udhërrëfyese për të devotshmit.” (Ali Imran, 137-138)

    Allahu krijoi çdo krijesë dhe finalizoi çdo çështje. Caktoi ligje për kozmosin, për individin dhe njerëzimin, për popujt dhe kombet, të vlefshme për çdo kohë dhe vend. Ato ishin funksionale në të kaluarën dhe vazhdojnë të jenë në fuqi për të ardhmen, për çdo rob të Tijin, për evliatë dhe armiqtë e Tij, për tokën dhe qiejt e Tij.

    Këto ligje janë që e drejtojnë njerëzimin dhe jetën në Tokë. Ato asnjëherë nuk ndryshojnë, por mbeten konsekuente për çdo kohë dhe për çdo vend: “Prandaj udhëtoni nëpër botë dhe shihni si ishte fundi i atyre që i përgënjeshtruan profetët…” (Ali Imran, 137)

    Dënimin që e përjetuan dje kundërshtuesit e pejgamberëve, të njëjtin do ta përjetojnë sot dhe nesër: “Këto janë lajme të qarta dhe udhërrëfyese për të devotshmit.” (Ali Imran, 138)

    Me ligjet e pandryshueshme të Allahut nënkuptohen mënyrat se si Allahu i rregullon çështjet e kozmosit, e orienton sistemin e jetës dhe e realizon kaderin (caktimin e Allahut) te robërit e Tij, në përputhje me urtësinë e Tij.

    Njohja e ligjeve të pandryshueshme të Allahut llogaritet nga shkencat më të rëndësishme dhe më të dobishme. Kurani në shumë ajete na shtyn t’i njohim ato ligje, me njohjen e gjendjes së popujve të mëhershëm. Kemi urdhër hyjnor që të udhëtojmë nëpër botë e të mësojmë realitetin e atyre popujve.[1]

    Ligjet e pandryshueshme të Allahut janë të shumta e të llojllojta, prej të cilave veçojmë:

    – Ligjin e ndërrimit:

    Allahu thotë: “Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Allahu nuk i do keqbërësit.” (Ali Imran, 140)

    Ligjin e konfliktit mes së mirës dhe së keqes:

    Allahu thotë: “Sikur Allahu të mos i ndihmonte njerëzit e mirë kundër të këqijve, bota do të ishte shkatërruar. Por Allahu është shumë Bujar me krijesat e Veta.” (El Bekare, 251)

    Ligjin e ndryshimit:

    Allahu thotë: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete. Kur Ai dëshiron të ndëshkojë një popull, askush nuk mund ta pengojë Atë; dhe ata, përveç Tij, s’kanë asnjë ndihmës.” (Er Rad, 11)

    Dhe thotë: “Kjo ndodh se Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre. Vërtet, Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” (El Enfal, 53)

    Ligjin e ruajtjes:

    Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty.”

    Ligjin e përkrahjes:

    Allahu thotë: “… nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë…” (Muhamed, 7)

    Dhe thotë: “Është detyra Jonë që t’i ndihmojmë besimtarët.” (Er Rum, 47)

    Ligjin e sprovës, dëlirjes dhe specifikimit:

    Allahu thotë: “ Vërtet mendojnë njerëzit se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që Allahu të dallojë ata që thonë të vërtetën dhe ata që gënjejnë.” (El Ankebut, 2-3)

    Dhe thotë: “Ne do t’ju vëmë në provë ju, derisa t’i njohim ata midis jush, që luftojnë (në rrugën e drejtë) dhe durojnë, e derisa të provojmë ato që thuhen për veprat tuaja.” (Muhamed, 31)

    Po ashtu thotë: “Allahu nuk i lë besimtarët në gjendjen që ndodheni ju, por do ta ndajë të keqin prej të mirit…” (Ali Imran, 179)

    Ligjin e joshjes[3] dhe shtyrjes graduale:

    Allahu thotë: “Ndërsa ata që i mohojnë shpalljet Tona, dalëngadalë Ne do t’i shpiem drejt shkatërrimit, pa e kuptuar e do t’u japim afat. Me të vërtetë, plani Ynë është i fortë.” (El Earaf, 182-183)

    Dhe thotë: “Le të mos mendojnë kurrsesi jobesimtarët se për ta është mirë që ua zgjasim jetën. Ne ua zgjasim jetën vetëm për t’i shtuar gjynahet; për ta ka ndëshkim poshtërues.” (Ali Imran, 178)

    Ligjin e shkatërrimit të zullumqarëve dhe keqbërësve:

    Allahu thotë: “Ato qytete[4] Ne i shkatërruam kur banorët e tyre bënë të këqija dhe, për shkatërrimin e tyre, Ne kishim caktuar një afat.” (El Kehf, 59)

    Dhe thotë: “Ne kurrë nuk i kemi shkatërruar vendbanimet (pa shkak), por vetëm kur banorët e tyre kanë qenë keqbërës.” (El Kasas, 59)

    Ligjin e qëndrimit të së mirës:

    Allahu thotë: “Mbeturinat hidhen, ndërsa ajo që u shërben njerëzve mbetet në tokë. Kështu, Allahu i shpjegon shembujt.” (Er Rad, 17)

    Ligjin e zëvendësimit:

    Allahu thotë: “E, nëse ju ia ktheni shpinën dhe i largoheni Atij, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do ta ndjekë shembullin tuaj.” (Muhamed, 38)

    Ligjin e  Allahut në shpërblim sipas sojit të veprës:

    Allahu thotë: “… si shpërblim përkatës (të veprave të tyre).” (En Nebe, 26)

    Po ashtu thotë: “… dhe do të shpërbleheni vetëm sipas asaj që keni bërë!” (Es Safat, 39)

    Dhe thotë: “O njerëz! Vërtet, padrejtësia që bëni për t’u kënaqur në jetën e kësaj bote, vetëm ju dëmton…” (Junus, 23)

    Gjithashtu thotë: “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!” (Junus, 26)

    Ligjin e përgjegjësisë shoqërore:

    Allahu thotë: “Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq; dhe ta dini se Allahu dënon ashpër!” (El Enfal, 25)

    Ka edhe shumë ligje të tjera, si: ligjet e Allahut që kanë të bëjnë me sebepet dhe ata që i shkaktojnë sebepet, ligjet e Allahut në udhëzimin dhe devijimin e krijesave etj.

    Këto ligje hyjnore i karakterizon:

    1. Drejtësia:

    Allahu thotë: “Të përkryera janë fjalët e Zotit tënd në vërtetësi dhe drejtësi; fjalët e Tij askush nuk mund t’i ndryshojë. Ai dëgjon çdo gjë dhe di çdo gjë.” (El Enam, 115)

    Ligjet e Allahut i karakterizon urtësia dhe drejtësia, e secilit ia japin atë që e meriton.

    1. Fuqia ekzekutuese dhe realizimi:

    Allahu thotë: “Kështu ka qenë ligji i Allahut edhe për ata (profetë) që kanë qenë më parë, – urdhri i Allahut është vendim i detyruar të ndodhë.” (El Ahzab, 38)

    Ligji i Allahut ka fuqinë ekzekutuese dhe atij nuk i del përpara asgjë dhe askush. Caktimi i tij është me urtësi, me dije dhe me baraspeshë; i parashikuar për objektivat që Allahu i do prej këtij urdhri, duke iu përshtatur nevojës, fuqisë, kohës dhe vendit.[5]

    Pra, ligjet e Allahut janë të pandryshueshme dhe konsekuente, siç ka thënë dijetari Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!): “Ujdisja mes dy të ngjashmeve dhe ndarja mes dy të kundërtave është ligj hyjnor që Allahu realisht nuk e thyen asnjëherë.”[6]

    1. Nuk ndryshojnë:

    Allahu thotë: “Ti kurrsesi nuk do të gjesh ndryshim në ligjet e Allahut.” (El Ahzab, 62) Pra, ato nuk ndryshohen.

    1. Nuk shndërrohen:

    Allahu thotë: “Vërtet, Ti nuk mund të gjesh shndërrim në ligjet e Allahut.” (Fatir, 43) Domethënë, nuk shndërrohen dhe nuk transferohen diku tjetër duke goditur dikë tjetër që s’e meriton.

    Fjalët: “et tebdil (ndryshim)”[7] dhe “et tehvil (shndërrim, transferim)”[8] janë fjalë arabe që janë përdorur në dy ajetet e sipërpërmendura dhe të dyja nënkuptojnë ndryshim, por te fjala “et tebdil (ndryshim)” në këtë rast qëllimi është ndryshimi i thelbit të dënimit, bie fjala, të ndryshohet dënimi i keqbërësve duke i futur ata në Xhenet dhe të ndryshohet shpërblimi i besimtarëve bamirës prej Xhenetit duke i futur në Xhehenem. Kjo nuk do të ndodhë asnjëherë, sepse bie në kontradiktë me drejtësinë dhe urtësinë e Allahut.

    Ndërkaq, fjala “et tehvil (shndërrim)” ka për qëllim shndërrimin e ligjit, gjë që realisht nuk ndodh askurrë. Për shembull, Allahu ka paracaktuar që një lloj i dënimit të godasë ndonjë qytet ose popull të caktuar, e dënimi zbret sipas kohës që e ka caktuar Allahu, por në një qytet ose popull tjetër, e jo aty ku ka qenë i caktuar. Kjo nuk ndodh asnjëherë.[9]

    1. Gjithëpërfshirëse, konstante dhe të pandryshueshme:

    Ligjet e Allahut i përfshijnë të gjithë dhe nuk veçohet askush e as favorizohet e dallohet ndokush. Nuk përkufizohet me një individ pa e përfshirë tjetrin ose me një shoqëri pa e përfshirë tjetrën. Janë ligje gjithëpërfshirëse për krejt njerëzimin, për krejt popujt dhe për krejt krijesat. Nëse përmbushen shkaqet, medoemos vijnë përfundimet.

    Allahu thotë: “Thuaju atyre që nuk besojnë: nëse largohen (nga mosbesimi), do t’u falet e kaluara e, nëse kthehen (në mosbesim), atëherë dënimi i popujve të mëparshëm është paralajmërim për ta.” (El Enfal, 38)

    Po ashtu thotë: “(Shpëtimi në jetën tjetër) nuk do të jetë as sipas dëshirës suaj (o myslimanë), as sipas dëshirës së ithtarëve të Librit. Por kushdo që bën një të keqe, do të ndëshkohet për atë dhe nuk do të gjejë as mbrojtës, as mbështetës tjetër në vend të Allahut.” (En Nisa, 123)

    Sikur ligjet e Allahut të mos ishin gjithëpërfshirëse, konstante dhe të pandryshueshme, atëherë s’do të kishte kuptim përmendja e rrëfimeve për popujt e mëhershëm dhe marrja e mësimit nga përfundimet e tyre. Ajo që u ndodhi të mëparshmëve, patjetër do t’u ndodhë të tjerëve pas tyre, nëse i bëjnë veprat e njëjta, e mu për këtë u bë e rekomandueshme përmendja e rrëfimeve të tyre, marrja mësim nga jetëshkrimi dhe fundi i tyre.

    1. Paanshmëria:

    Kush i pranon dhe punon me këto ligje, do ta gjejë shpërblimin dhe frytin që ia ka premtuar Allahu, atij që i pranon dhe punon me to. Ndërkaq, kush nuk i pranon dhe nuk punon me këto ligje, nuk do ta gjejë shpërblimin dhe frytin që ia ka premtuar Allahu.

    Njohja dhe kuptimi i ligjeve hyjnore sjell këto dobi:

    1. Njohja e ligjeve të Allahut që kanë të bëjnë me kozmosin ose shoqëritë ndihmojnë në kuptimin e realitetit.

    Njohja dhe dijenia rreth ligjeve të pandryshueshme të Allahut ndihmon në komentimin e ndodhive, krizave dhe fatkeqësive të mëdha, nga fakti se ato ndodhin në përputhje me këto ligje që nuk ndryshohen dhe nuk shndërrohen.

    Historinë e kuptojmë dhe ndodhitë i analizojmë vetëm me njohjen e ligjeve hyjnore. Nëpërmjet tyre historinë e kuptojmë dhe ndodhitë i komentojmë në mënyrë të saktë, e kjo na ndihmon në vlerësimin e së tashmes dhe në parashikimin e së ardhmes sonë, me lejen e Allahut. Allahu thotë: “Thuaj: “Udhëtoni nëpër botë e shihni çfarë dënimi kanë marrë ata që përgënjeshtronin (të dërguarit).” (El Enam, 11)

    Historia përsëritet dhe ndodhitë e saj kanë ngjashmëri shumë të përafërta me njëra-tjetrën, për shkak të ndikimit të ligjeve konstante hyjnore që qëndrojnë pas atyre ndodhive dhe i lëvizin e i përshtatin ato ndodhi. Arabët këtë realitet e shprehnin me fjalët: “Sa e ngjashme është nata e sotme me të djeshmen!”, e perëndimorët e shprehin me fjalët: “Historia e përsërit veten!”, ndërsa Kurani e qartësoi në fjalët: “Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve…” (Ali Imran, 140)

    1. Njohja e ligjeve ia mundëson njeriut të kuptojë faktin që Allahu nganjëherë e vonon dënimin, por asnjëherë nuk e harron atë.

    Allahu thotë: “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin), dhe, duke vrapuar me kokën lart, nuk do të mund t’i lëvizin sytë, ndërsa zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri).” (Ibrahim, 42-43)

    Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Allahu (ka raste kur) e vonon dënimin e keqbërësit, por, kur ta marrë në llogari, nuk ka shpëtim për të.” Më pas e lexoi ajetin: “I tillë është dënimi i Zotit tënd, kur ndëshkon vendbanimet që bënin gjynahe. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.” (Hud, 102)[10]

    1. Njohja e ligjeve i forcon zemrat e besimtarëve dhe bindjen në premtimin e Allahut.

    Shpeshherë Allahu në Kuran i përmend ligjet hyjnore në mënyrë që të forcohen besimtarët, siç thotë: “Ne po t’i tregojmë ty disa nga historitë e të dërguarve, për të ta forcuar zemrën. Në këtë sure të ka ardhur ty e vërteta. Ajo është këshillë dhe kujtesë për besimtarët. Dhe thuaju atyre që nuk besojnë: “Ju bëni çfarë të mundni, edhe ne do të bëjmë çfarë të mundim, dhe pritni, nëse do të prisni, se dhe ne do të presim!” Allahu i di të fshehtat e qiejve e të Tokës dhe çdo gjë kthehet tek Ai. Lutju Atij dhe mbështetu tek Ai! Zoti yt nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që bëni ju.” (Hud, 120-123)

    Për rrjedhojë, ligjet hyjnore, me të gjitha llojet e saj, konsiderohen prej sebepeve më të mëdha të qëndrueshmërisë në fe dhe ballafaqimit të së kotës me gjithë ithtarët e saj. Njëlloj meditimi rreth këtyre ligjeve dhe kërkim-strehimi tek ato e largojnë parehatinë shpirtërore, pesimizmin dhe dëshpërimin nga zemrat e besimtarëve për përmirësimin e realiteteve që i përjeton.

    1. Njohja e ligjeve e shtyn njeriun t’i marrë shkaqet dhe ato t’i lidhë me rezultatet, duke u mbështetur në Allahun.

    Orbitën e lëviz Allahu me rregulla precize dhe ligje të sistemuara. Allahu thotë: “Një shenjë tjetër për ta është nata, prej së cilës Ne e tërheqim ditën dhe atëherë ata mbeten në errësirë. Dielli sillet në drejtimin e vet të caktuar. Kështu e ka paracaktuar i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi. Hënës i kemi caktuar faza; ajo përditë hahet e bëhet si rremi i përkulur i hurmës. As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën e as nata nuk mund t’ia kalojë ditës; të gjitha lundrojnë në orbitat e veta.” (Jasin, 37-40)

    Myslimani i mençur, nëse e do shpëtimin, patjetër duhet t’i ndjekë shkaqet që Allahu i krijoi në orbitë, njëlloj siç veproi Dhulkarnejni dhe arriti suksesin: “Ne i dhamë atij mundësi në Tokë dhe i dhamë mjete e rrugë për të arritur çdo gjë, kështu që ai u nis në një rrugë.” (El Kehf, 84-85)

    “Domethënë, Allahu ia dha atij mundësitë dhe mjetet, t’i arrijë synimet e tij. I dha përkrahje t’i pushtojë tokat dhe me shumë lehtësi të arrijë deri në skaj të njërës anë të botës. Ai punonte me mjetet që Allahu ia mundësoi atij dhe i përdori ato në mënyrën e drejtë. Jo çdokush që posedon mundësi dhe mjete ka njohuri si t’i përdorë ato, si dhe jo çdokujt i jepet mundësia t’i posedojë ato. Por, kur bëhen bashkë mundësia e posedimit real të mjeteve dhe të punuarit me to, atëherë arrihet qëllimi me lejen e Allahut. Mirëpo, nëse është e paarritshme mundësia që të posedohet mjeti dhe të punohet me të, ose nëse mungon njëra prej tyre, atëherë s’ka shans që të arrihet deri te qëllimi.”[11]

    – Në vazhdim shkurtimisht do të flasim për disa ligje hyjnore në jetë. Ato janë: “ligji i konfliktit mes së mirës dhe së keqes”, “ligji i ndërrimit”, “ligji i përfaqësimit dhe i pushtetit”, “ligji i ndryshimit” dhe “ligji i shkatërrimit të keqbërësve”.

    Dr. Muhamed el Munexhidi

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Fragment nga libri: “LIGJET E PANDRYSHUESHME TË ALLAHUT TE KRIJESAT E TIJ” (I përkthyer në gjuhën shqipe)

    [1] “Tefsir el Menar” (4/114).

    [3] Është për qëllim se Allahu e josh gjynahqarin duke ia vonuar dënimin, e ai mendon se vazhdimësia e tij në bërjen e gjynaheve nuk do t’i sjellë asnjë të keqe, ose mendon se Allahu e do atë njeri, por realisht Allahu e vonon dënimin që ai të shtojë sa më shumë prej gjynaheve, që në fund ta dënojë rëndë. (Sh. p.)

    [4] Vargu bën fjalë për qytetet e shkatërruara të fiseve ad e themud, të popullit të Lutit etj., që u shkatërruan për shkak të ligësisë dhe shthurjes së banorëve të tyre. (Përkthim i Kuranit – Hasan Nahi) (Sh. p.)

    [5] “Fi Dhilal el Kuran” (5/2870).

    [6] “En Nubuvat” (1/11).

    [7] Te pika numër 3, ku Allahu thotë: “Ti kurrsesi nuk do të gjesh ndryshim në ligjet e Allahut.” (El Ahzab, 62) (Sh. p.)

    [8] Te pika numër 4, ku Allahu thotë: “Vërtet, Ti nuk mund të gjesh shndërrim në ligjet e Allahut.” (Fatir, 43) (Sh. p.)

    [9] “Tefsir er Razij” (26/247).

    [10] Buhariu (4686), Muslimi (2583). Hadithin e transmeton Ebu Musa el Eshariu h.

    [11] “Tefsir es Sadij” (f. 485).

  • SHENJAT E DASHURISË NDAJ TË DËRGUARIT TË ALLAHUT, ALEJHI SALATU UE SELAM

    SHENJAT E DASHURISË NDAJ TË DËRGUARIT TË ALLAHUT, ALEJHI SALATU UE SELAM

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e pejgamberëve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin, biri i Abdullahut dhe rob i Allahut.

    Allahu i Madhëruar e detyroi mbi ne dashurinë ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, dhe e bëri kusht që kjo dashuri të jetë më e fortë se dashuria që e ndjejmë ndaj prindërve dhe fëmijëve tanë, akraballëkut dhe grave dhe pasurisë sonë dhe iu kërcënua atyre që i japin përparësi dashurisë së tjerëve para dashurisë së Allahut apo të Dërguarit të Tij apo luftës në rrugë të Tij dhe tha: Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni deri sa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij”. (Et-Teube: 24) Dhe në fund të ajetit Allahu i bëri mëkatarë duke thënë: “Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur”. (Et-Teube: 24)

    Kjo dashuri është detyruese për secilin njeri. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do te ketë askush besim te përsosur përderisa unë të mos jem tek ai më i dashur se fëmija, prindi dhe tërë njerëzit tjerë”.

    Nëse dëshiron ta dish se kush meriton më së shumti dashuri, respekt, nder, fisnikërim dhe pasim, i Dërguari i Allahut apo prindërit, do të vëresh se më meritor është Muhamedi, alejhi salatu ue selam, për arsye se prindërit janë shkak i ekzistimit tënd në këtë dynja kalimtare kurse i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, është shkak për hyrjen tënde në Xhenetin e Allahut, madje ai, alejhi salatu ue selam, është më i afërt për ne, se sa na vet për njëri-tjetrin: “Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri-tjetrin; gratë e tij janë (si) nënat e tyre”. (El-Ahzab: 6)

    Muslimani detyrohet që ta flijon jetën, pasurinë, familjen dhe fëmijët për të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam: “Banorëve të Medinës dhe beduinëve që janë rreth saj, nuk u lejohet të mos ndjekin të Dërguarin e Allahut, as të kursejnë jetën e tyre para jetës së tij”. (Et-Teube: 120)

    Përcjell Abdullah ibën Hishami se derisa ishim me Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, ai ia kapi dorën Omerit. Omeri i tha: O i Dërguari i Allahut! Për Zotin, ti je më i dashur tek unë se çdo gjë me përjashtim të vetes sime”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: “Jo, pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të jesh besimtar i mirë përderisa unë të mos jem edhe më i dashur se sa vetja jote”. Omeri tha: Tani, o i Dërguari i Allahut, je edhe më i dashur se sa vetja ime. “Tani, o Omer (u plotësua besimi yt)”. – ia ktheu Pejgamberi, alejhi salatu ue selam.

    Kjo dashuri e plotë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, jep fryte në këtë dynja dhe në ahiret. Nga ato fryte është shijimi i ëmbëlsisë së besimit ku i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë. “Kush i posedon tri cilësi ai veç ka shijuar ëmbëlsinë e besimit: Ta dojë Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se çdokënd tjetër, ta dojë një njeri vetëm për Allahun dhe ta urrejë kthimin në injorancë dhe mosbesim sikur që e urren hedhjen në zjarr”.

    Nga frytet e kësaj dashurie po ashtu është se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, është në Xhenet me të.

    Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se një njeri e kishte pyetur Pejgamberin, alejhi salatu ue selam: Kur është Kiameti? -”E çka ke përgatitur ti për të?”. –pyeti Pejgamberi, alejhi salatu ue selam. -Nuk kam përgatitur shumë namaz dhe agjërim, por megjithatë unë e dua (shumë) Allahun dhe të Dërguarin e Tij. -”Ti do të jesh (në Xhenet) me ata që i do”. – ia ktheu Pejgamberi, alejhi salatu ue selam.

    Enesi thotë se nuk jemi gëzuar asnjëherë më parë se sa kur e dëgjuam fjalën e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam: “Ti do të jesh (në Xhenet) me ata që i do”. Enesi vazhdoi dhe tha: “Unë e dua të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe Ebu Bekrin dhe Omerin dhe shpresoj që të jem së bashku me ta edhe nëse nuk mund t’i arrij veprat e tyre”.

    Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se një njeri erdhi deri tek i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe i tha: “Një njeri e do një popull, por nuk mund t’i arrijë ata”. Muhamedi, alejhi salatu ue selam, tha: “Njeriu do të jetë Ditën e Gjykimit me atë që e do”.

    Kjo dashuri e plotë i ka disa shenja dhe ai i cili i vëren në vetveten e tij vetëm se e ka plotësuar dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe le ta përgëzon veten me shijimin e ëmbëlsisë së imanit dhe shoqërimin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, në Xhenet.

    – Si shenjë e parë nga shenjat e dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, është kur nëse robit i jepet mundësia të zgjedh mes humbjes së diçkaje nga gjërat e dynjasë dhe humbjes së shikimit të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, nëse ajo është e mundshme, robi e zgjedh të parën. Kjo cilësi ishte e pranishme tek sahabët dhe për këtë arsye ata ishin të kujdesshëm që ta shoqërojnë të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, në dynja dhe ahiret.

    Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Në ditën kur ka hyrë Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, në Medine, është ndritur në të çdo gjë; ndërsa në ditën që ka vdekur, është errësuar në të çdo gjë. Nuk jemi ndarë nga varrimi i Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, vetëm se mërzia në zemrat tona ka tejkaluar çdo kufi”.

    Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut. Ti je më i dashur tek unë se sa edhe vetja ime , ti je më i dashur tek unë se sa fëmijët e mi, kur jam në shtëpi më kujtohesh dhe nuk mundem të bëj durim e mos të vij e ta shoh fytyrën tënde. Nëse e kujtoj vdekjen time dhe tënden e di se kur ti hyn në Xhenet do të jesh me të Dërguarit kurse unë nëse hy në Xhenet frikohem se nuk do të shoh. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, nuk i dha përgjigje derisa zbriti Xhibrili, alejhi selam, me këto ajete: Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët!”. (En-Nisa: 69)

    – Shenjë e dytë nga shenjat e dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, është flijimi i shpirtit dhe pasurisë për të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam.

    Ebu Sufjan ibën Harb, i cili në atë kohë ende nuk ishte në Islam, e pyeti Hubejb ibën Adij, Allahu qoftë i kënaqur me të, të cilin e kishin pas zënë rob jobesimtarët e Mekës dhe e nxorën ta mbysin jashtë Haremit të Mekës, duke i thënë: “O Hubejb, të betohen në Allah, a kishe pasur dëshirë që Muhamedi të ishte në vendin tënd dhe t’ia këputnim kokën atij kurse ti të ishe te familja jote? U përgjigj: “Pasha Allahun nuk dua që Muhamedi të jetë në vendin e tij kush është tani dhe atë ta godet therë që e dëmton e unë të jem te familja ime”. Ebu Sufjani tha: “Nuk kam takuar askënd prej njerëzve që e do ndokënd siç e duan shokët e Muhamedit Muhamedin”.

    Zejd ibën Thabit, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Më dërgoi i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ditën e Uhudit për ta kërkuar Sad ibën Rebia, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe më tha: “Nëse e sheh dërgoj selam nga unë dhe thuaji se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, të pyet se a je nga të gjallit apo nga të vdekurit. Sad ibën Rebia tha: Edhe ti dërgoi të Dërguarit të Allahut selam dhe po ashtu selami qoftë mbi ty dhe thuaj se unë e nuhati erën e Xhenetit dhe ia përcjell edhe një selam shokëve të Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, dhe thuaju: Sad ibën Rebia ju bën selam dhe ju thotë: “Dijeni fort mirë, se nuk keni arsye te Allahu nëse Pejgamberi i Allahut ngacmohet, nëse Pejgamberi i Allahut shqetësohet e ende syri juaj lëviz dhe jeni gjallë”.

    – Shenja e tretë nga shenjat e dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, është nxitimi në respektimin e urdhrave që i urdhëroi dhe largimi nga ajo që e ndaloi.

    Kur i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i urdhëroi shokët e tij të dalin për në Hamraul Esed që ta përcjellin ushtrinë e Ebu Sufjanit dhe kjo ndodhi vetëm se një ditë pas betejës së Uhudit, ata nuk i thanë: jemi kthyer dje, kemi të plagosur dhe të lodhur në mesin tonë, por ata iu përgjigjën urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, edhe pse ishte shumë i rëndë për shpirtrat e tyre për arsye se ata i donin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam, dhe Allahu këtë ua shënoi në librin e Tij duke zbritur ajete që do të lexohen deri në Ditën e Kiametit: “Për ata që morën plagë të rënda, pasi iu përgjigjën thirrjes së Allahut dhe të të Dërguarit dhe për ata që kanë bërë të mira e që i frikësohen Allahut, ka shpërblim të madh. (Shpërblim kanë edhe ata) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: “Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!” e kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: “Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!” Ata u kthyen me dhuntitë dhe mirësitë e Allahut, nuk i gjeti asgjë e keqe dhe fituan kënaqësinë e Allahut. Allahu është Zotërues i mirësive të mëdha”. (Ali Imran: 172-174)

    Po ashtu nga ajo dashuri që e shfaqën sahabët ishte edhe derdhja e alkoolit kur erdhi ndalesa për të.

    Përcjell imam Buhariu nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tregon: “Ne nuk kishim tjetër pije alkoolike, veç asaj që prodhonim nga hurmat dhe që e quanim fadih. Një herë, kur isha në këmbë duke u mbushur pije Ebu Talhasë, filanit dhe filanit, erdhi një burrë dhe tha: “A ju ka mbërritur lajmi?” I thanë: “Ç’është ai lajm?” Ai tha: “Pijet alkoolike janë ndaluar.” Ata më thanë: “Derdhi këto poçe, o Enes!”-, dhe nuk pyetën për to e nuk iu kthyen më atyre pas lajmit që solli ai burrë.

    – Shenja e katërt nga shenjat e dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, kapja dhe përkrahja e Sunetit të tij dhe mbrojtja e sheriatit të tij.

    Shembull praktik e kemi rastin e Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur njerëzit i dhanë besën Ebu Bekrit si udhëheqës. Ai vendosi menjëherë të dërgonte ushtrinë e Usames tek romakët. Disa nga sahabët u përpoqën ta pengonin nga ky vendim, ose ta vononin për pak kohë, duke parë rreziqet e ndryshme që mund t`u kanoseshin muslimanëve nga romakët apo të krishterët e Shamit, pse jo edhe nga dezertorët, të cilët vazhdonin të kishin forca të konsiderueshme në atë kohë.

    Ebu Bekri nguli këmbë që ta dërgonte ushtrinë e Usames dhe tha: “Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin tim! Edhe nëse do të më merrnin egërsirat, unë do ta nisja ushtrinë e Usames, siç urdhëroi Pejgamberi, alejhi salatu ue selam”.

    Në një version tjetër thuhet: “Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin tim! Sikur të gjithë arabët të vërsuleshin, kjo do të kishte qenë më e dashur për mua, sesa ta mbaj peng një ushtri që donte ta dërgonte i Dërguari i Allahut”.

    Po ashtu shembull praktik e kemi edhe rastin e Haram ibën Milhan, Allahu e mëshiroftë, i cili u gëzua tej mase me rënien e tij si dëshmor duke e përcjellë mesazhin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam.

    Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, dërgoi shtatëdhjetë burra nga fisi Beni Sulejm te fisi Beni Amir. Kur ata mbërritën atje, daja im u tha: “Unë po shkoj përpara jush dhe, në qoftë se ata më lejojnë mua të njoftoj mesazhin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, (kjo do të jetë shumë mirë), përndryshe të më qëndroni pranë.” Kështu, ai shkoi përpara tyre dhe paganët (e fisit Amir) i dhanë atij besë e siguri. Por, kur po u shtjellonte mesazhin e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, ata i bënë me shenjë njërit prej njerëzve të vet, i cili e plagosi atë për vdekje me shigjetë. Daja im (i plagosur) thirri: “Allahu Ekber (Allahu është më i Madhi)! Fitova, për Zotin e Qabes!”.

    O Zot, ngrite Islamin dhe muslimanët dhe poshtëroi kufrin dhe jobesimtarët dhe ngrite lart flamurin e të vërtetës dhe fesë. O Zot, shtona dashurinë ndaj të Dërguarit tanë, alejhi salatu ue selam, dhe bëna nga ata që e pasojnë rrugën dhe traditën e tij.

    Dr. Ahmed Ferid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

  • SHENJAT E PËRFUNDIMIT TË KEQ

    SHENJAT E PËRFUNDIMIT TË KEQ

    Pasi që vendbanimi i robit pas vdekjes së tij është i fshehtë për krijesat dhe dituria është vetëm tek Allahu, nuk i takon askujt që të gjykojë për një krijesë të Allahut se a është banor i Xhenetit apo i Xhehenemit. Përjashtim bëhet vetëm për ata për të cilët na kanë ardhur citate të qarta prej Kur’ani dhe Suneti se janë banorë të Xhenetit apo Xhehenemit. Mirëpo pasi që përfundimi i njeriut sipas të dhënave të mbledhura si pasojë e vëzhgimeve të drejtpërdrejta është bërë tregues i asaj se robi a shpresohet të jetë prej banorëve të Xhenetit apo të Xhehenemit, neve na lejohet që disa njerëz t’i përgëzojmë dhe të shpresojmë për ata Xhenet e për disa të frikohemi dhe të shpresojmë rahmet, sipas asaj çka ka vepruar robi i Allahut.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Ka prej jush që punojnë vepra të banorëve të Xhenetit (sipas asaj çka e shohin njerëzit) mirëpo ata janë prej banorëve të Xhehenemit. Ka prej jush që punojnë vepra të banorëve të Xhehenemit, mirëpo ata janë prej banorëve të Xhenetit. Veprat shpërblehen sipas përfundimit të saj”.

    Ibën Batal, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Në fshehtësinë e përfundimit të veprave prej robit gjejmë urtësi të madhe. Po ta dinte robi i Allahut se do të jetë prej të shpëtuarve do t’i hynte vetja në qejf dhe do ta braktiste punën. Po ashtu po ta dinte se do të jetë prej të shkatërruarve do ta braktiste punën dhe do t’i shtonte veprat e shëmtuara. Prandaj u fsheh kjo dituri prej tij që ai gjithmonë të jetojë mes shpresës dhe frikës”.

    Ky ishte shkaku se pse njerëzit e mirë frikoheshin prej përfundimit të keq. Ata përpiqeshin që gjithmonë të kenë mendim të mirë për Allahun, të veprojnë vepra të mira dhe ato të jenë të vazhdueshme.

    Malik ibën Dinar, Allahu e mëshiroftë, falte namaz tërë natën, e kapte mjekrën e tij dhe thoshte: “O Zot, Ti i di banorët e Xhenetit dhe banorët e Xhehenemit, ku do të jetë vendbanimi i Malikut?”

    Sufjan Theurijut, Allahu e mëshiroftë, kur iu afrua vdekja filloi të qajë dhe njëri prej tyre që ishte prezent i tha: “O Sufjan, a qan për shkak të mëkateve të shumta që i veprove? –Tha: Jo, por frikohem se mos po më rrëmbehet imani para vdekjes”.

    Pasi që çështja e përfundimit qenka e madhe njeriut i takon të kujdeset për llogaritjen e vetvetes dhe të paralajmërohet prej mashtrimeve të epshit e shejtanit dhe të nxitojë kah pendimi i sinqertë. Çdo shkujdesje dhe neglizhencë prej anës së tij do të jetë pendim e mallkim dhe akuzat për këtë gjendje nuk duhet t’i drejton askund tjetër përveç se në adresën e tij.

    O muslimanë!

    Pamjet e momenteve të vdekjes janë prej gjendjeve më të rënda për njeriun. Dhembjet e saj janë të rënda e mundimet të papërshkrueshme. Robi si të kishte qenë prej tyre që e pastronin shpirtin me vepra të mira dhe e përmirësonin të brendshmen dhe të jashtmen e tyre për hir të Allahut, për të shpresohet përfundim i mirë. Si të kishte qenë prej tyre që i bëjnë padrejtësi vetes me mëkate e gjynahe përfundimi i tij frikohet se nuk do të jetë i mirë. Allahu askujt nuk i bën padrejtësi, i jep atij çka donë me mëshirën e Tij dhe i merr atij çka donë me drejtësinë e Tij.

    Imam Abdulhak el Ishbilij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dije se përfundimi i keq nuk është vetëm se për atë i cili mendjen e ka të shëmtuar dhe këmbëngul në veprimin e mëkateve të mëdha e shkatërruese, më e keqja është kur sprovohet me këtë sprovë para se të vdes dhe nuk ka mundësi të pendohet, Allahu na ruajttë prej kësaj gjendje. Belaja më e madhe është kur njeriu është i përqendruar në fe e pastaj i ndryshohet gjendja, fillojnë mëkatet t’i duken të mira e ti vepron dhe kjo të bëhet shkak i përfundimit të tij të keq, Allahu na ruajttë:

    “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete. Kur Ai dëshiron ta ndëshkojë një popull, askush nuk mund ta pengojë Atë; dhe ata, përveç Tij, s’kanë asnjë ndihmës.” (Er-Ra’d: 11)

    Ndoshta ndonjë lloj i mëkatit apo shpifjes në ato momente të vështira bëhet shkaktar për marrjen e zemrës së tij, robërimin e mendjes së tij, fikjen e dritës së tij, i vendoset perde, nuk i bën dobi rikujtimi e as këshilla, dëgjon zërin i cili ia përsërit shehadetin, por nuk e kupton qëllimin e tij dhe vdes në këtë gjendje të mjerueshme e cila është shenjë e përfundimit të keq të tij”.

    Imam el Ishbilij, Allahu e mëshiroftë, pastaj e cek një rast të një përfundimi të keq dhe thotë: “Përcillet se në Egjipt jetonte një njeri i cili ishte muezin dhe imam xhamie dhe të gjithë e njihnin si njeri i devotshëm. Një ditë u ngrit lartë në minare për ta thirrur ezanin, ndërsa poshtë minares afër xhamisë ishte shtëpia e një të krishteri. Shikoi në brendësinë e asaj shtëpie, e pa një vajzë të bukur me të cilën u sprovua, e la ezanin zbriti poshtë dhe hyri në shtëpinë e asaj vajze. Vajza i tha: Çka dëshiron prej meje? – Ky i tha: Të dëshiroj ty. – Vajza e pyeti: Pse? –Ju përgjigj: Ma rrëmbeve zemrën dhe ma rrëmbeve shpirtin. – Vajza i tha: Asnjëherë nuk do të bëhem e jotja. – Ky ia ktheu: Atëherë do të martoj. – Vajza: Ti je musliman e unë krishtere. Babai im nuk do të më martojë asnjëherë për ty. –Tha: Atëherë unë do të bëhem i krishterë. – Vajza: Bëhu dhe do të martohem për ty. – U bë i krishterë për ta martuar atë vajzë, atë ditë qëndroi në shtëpinë e saj dhe po të njëjtën ditë doli në tarracë të shtëpisë ku edhe ra prej saj dhe vdiq. E humbi vajzën, e humbi fenë, e humbi ahiretin dhe Allahu ia mori shpirtin si jobesimtar për shkak se epshin e tij e bëri Zot”.

    Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, na përcjell se një njeriut i është thënë në prag të vdekjes: Thuaj: La ilahe il-lallah, ai ka thënë: Nuk më bën dobi mua kjo fjalë, unë nuk di që kam falur për Allahun ndonjë namaz? Dhe nuk e ka shqiptuar këtë fjalë.

    Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, na përcjell prej Abdulaziz ibën Ebi Revad, Allahu e mëshiroftë, i cili ka thënë: Kam prezantuar tek një njeri i cili ishte në agoninë e vdekjes dhe ia përkujtonin atij fjalën La ilahe il-lallah, dhe në fund ai nuk e shqiptoi këtë fjalë dhe tha unë e mohoj këtë që e thua dhe vdiq në këtë gjendje. Thotë transmetuesi kam pyetur për të çfarë ka bërë: Mu përgjigjën se ai ka qenë i dhënë pas alkoolit. Abdulaziz ibën Ebi Revad thoshte: Frikësohuni nga mëkatet sepse këto janë ato që e kanë sjellë në këtë situatë.

    Dhe të ngjashme si kjo e përmend Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: Ka qenë një njeri i cili ulej me ata që pinin alkool, pasi që i erdhi vdekja erdhi një njeri ia kujtonte shehadetin kurse ai i tha atij: Pi ti pastaj më jep të pi edhe unë, pastaj vdiq. Një rast tjetër që e përmend Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij El Kebair (Mëkatet e mëdha) se një njeri i cili luante shah kur ishte në agoni të vdekjes, i është thënë atij, thuaj: La ilahe il- lallah, ai tha: Luaj ti, pastaj vdiq, ia mundi gjuha e tij me atë që e kishte kaluar tërë jetën e tij dhe në vend se ta thotë fjalën e teuhidit (La ilahe il-lallah) ai tha luaj ti.

    Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, gjithashtu e përmend se një person ishte i njohur me dashurinë ndaj këngës dhe muzikës dhe kah do që shkonte i përsëriste ato dhe kështu pasi që i erdhi agonia e vdekjes i është thënë atij: Thuaj: La ilahe il lallah, ai filloi të këndonte derisa vdiq dhe nuk e shqiptoi fjalën e teuhidit.

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, po ashtu thotë më kanë treguar disa tregtarë për një të afërm të tyre kur i erdhi agonia e vdekjes, njerëzit përreth tij filluan t`ia kujtojnë fjalën: La ilahe il-lallah, kurse ai thoshte: Ky mall kushton kaq, ky mall është i lirë, ky myshteri është i mirë derisa vdiq dhe nuk e shqiptoi shehadetin.

    Një tjetrit i thoshin thuaj: la ilahe il-lallah. Thoshte: Ah, ah, nuk mundem ta shqiptoj.

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, u përpoq t’i komentojë tregimet që i përmendëm me herët, dhe tha: “I Lartësuar qoftë Allahu, kjo çfarë kanë parë njerëzit është mësim për ata që kanë mendje? Kur njeriu është në gjendje të mirë shëndetësore, i fortë dhe i fuqishëm shejtani mundohet ta mbizotërojë atë dhe ta fusë në mëkate ndaj Allahut të Madhëruar, e bën atë që zemra e tij të jetë e pakujdesshme në përmendjen e Allahut, e bën që të harrojë ta përmend Allahun me gjuhën e tij dhe e bën që ta largojë nga adhurimet e gjymtyrëve, kjo kur është njeriu i fortë dhe i fuqishëm, atëherë si mendon ti kur njeriut i bie kjo forcë, dobësohet dhe plaket? Në kohën kur ky njeri fillon të ndiej dhimbje në trupin e tij dhe fillon të ankohet për dhimbjet që i ndien, në këtë situatë shejtani i mallkuar e përmbledh të gjithë fuqinë dhe synimin e tij për ta fituar këtë person dhe për ta kthyer kah ai dëshiron, shejtani është shumë i fortë në këtë gjendje kurse personi në fjalë është më së ligështi në këtë gjendje prandaj vështirë është që të shpëtojë ky njeri në këtë situatë përveç atyre që i forcon Allahu. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë”. (Ibrahim: 27)

    Përfundimi i keq është dy shkallë, Allahu na ruajttë prej tij:

    E para: Është përfundim shumë i keq dhe i tmerrshëm, ky përfundim është kur në prag të vdekjes e kap njeriun dyshimi, mohimi, kufri dhe të folurit diç që është në kundërshtim me atë që ka zbritur Allahu apo ka treguar Muhamedi, salallahu alejhi ue selem.

    E dyta: Është më e vogël se kjo e para: Kjo është kur në prag të vdekjes njeriu fillon të dëshiron ndonjë gjë prej gjërave të dynjasë, apo ndonjë dëshirë prej dëshirave të ndaluara dhe kjo i shfaqet atij në momentin e vdekjes në zemrën e tij, njeriu vdes në atë gjendje çfarë ka jetuar, nëse ka qenë nga ata që ka dhënë kamatë ai do të përfundojë me këtë mëkat të madh, nëse ka qenë nga ata që ka vepruar harame të tjera si p.sh.: Drogë, muzikë, cigare dhe fotografi pornografike, u ka bërë padrejtësi njerëzve e të ngjashme si këto përfundimi i tij do të jetë i keq, Allahu na ruajttë. Mirëpo nëse është nga ata që kanë qenë njësues të Allahut ata do të jenë të mbrojtur nga dënimi i Allahut.

    Pasi që përfundimi i keq është çështje e rrezikshme për jetën e njeriut na detyrohet t’i njohim disa prej shkaqeve më kryesore të cilat na drejtojnë kah ajo me qëllim që t’i largohemi dhe mos t’i afrohemi rrethit të saj.

    – Prej shkaqeve të përfundimit mund të numërojmë siç vijon:

    – Braktisja e ahiretit dhe dashuria ndaj dynjasë:

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë?” (Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar. Kështu e ndëshkojmë Ne atë që e tepron (me gjynahe) dhe nuk beson shenjat e Zotit të tij; e dënimi në jetën tjetër, në të vërtetë, është më i ashpër dhe më i qëndrueshëm”. (Ta Ha: 124-127)

    Imam Abdulhak el Ishbilij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dije, Allahu të mëshiroftë, se përfundimi i keq ka shkaqe, mënyra dhe rrugë. Më kryesorja është dashuria ndaj dynjasë, braktisja e ahiretit dhe bërja e mëkateve”.

    – Lënia e pendimit për më vonë, vazhdimësia në mëkate dhe mospërfillja e detyrimeve:

    Shumë njerëz pretendojnë se do të pendohen prej mëkateve, por kur? Beqari thotë do të pendohem kur të martohem. Studenti thotë do të pendohem kur t’i përfundoj studimet. Fukaraja thotë do të pendohem kur të punësohem. I riu thotë do të pendohem kur të plakem dhe kështu me radhë, secili e cakton një afat kohor se kur do të pendohet. Mirëpo i parashtrohet pyetja të gjithëve se kush ju garanton se do ta mbërrini realizimin e këtyre shpresave? A nuk frikoheni se Allahu do t’ua marrë shpirtin para se t’i realizoni shpresat e juaja? Po edhe nëse e mbërrini atë afat kohor që e dëshironi, kush ju garanton se do të pendoheni kur dihet se jetën e keni kaluar në mëkate dhe epshe, të cilat në shumicën e rasteve janë shkak i rrotullimit të zemrave dhe shkatërrimit të saj? Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë”! (El-Enfal: 24)

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ne do t’ua largojmë zemrat dhe shikimet e tyre nga e vërteta”, e pastaj e qartëson shkakun e këtij largimi ku thotë: “sepse ata nuk e besuan atë (Kur’anin) herën e parë”. Pra shkaku i saj ishte refuzimi i të vërtetës kur iu erdh herën e parë, e pastaj thotë: “Ne do t’i lëmë ata që të bredhin të verbër në humbje e mosbesim”. (El-Enfal: 110)

    Allahu e mallkon një popull të cilin e mashtrojnë shpresat dhe i braktisin punët e ahiretit, e pastaj kur i vjen exheli ata janë në shkujdesje. Allahu, azze ue xhel, thotë:

    “Do të vijë dita (e Kiametit), kur mohuesit do të dëshirojnë që të ishin muslimanë. Lëri ata që të hanë e të kënaqen dhe le t’i mashtrojë shpresa; ata do ta marrin vesh”! (El-Hixhr: 2-3)

    Ali ibën Ebi Talib, radijallahu anhu, thotë: “Frikohem për ju prej dy gjërave: Prej shpresës së gjatë dhe pasimit të epshit. Shpresa e gjatë është shkak për harrimin e ahiretit, kurse pasimi i epshit të largon prej të vërtetës”.

    – Dashuria ndaj mëkateve:

    Njeriu kur vazhdon të bëj mëkate dhe nuk nxiton që të pendohet prej saj, ia dobëson zemrën dhe ia mbisundon mendjen në momentet e fundit të jetës që të mos pendohet prej saj. Allahu shpirtin ia merr në këtë gjendje dhe kështu do të ringjallet në Ditën e Kiametit.

    Xhabir, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Çdo rob do të ringjallet ashtu siç ka vdekur”.

    Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Mëkatet dhe pasionet e zhgënjejnë vepruesin e tyre para vdekjes së bashku me shejtanin dhe kështu që kur i shtohet edhe besimi i dobët në ato momente, atëherë prite përfundimin e keq”.

    – Veprimi i risive, pasimi i atyre që i veprojnë ato dhe mbrojtja e saj me të gjitha mënyrat e mundshme:

    Imam el Kazvinij, Allahu e mëshiroftë, kur flet për përfundimin e keq thotë: “Përfundimi i keq ka shkaqe të shumta, mirëpo më të rënda dhe më së shumti që duhet të frikohemi janë dy gjëra:

    E para: Risia e rrënjosur në zemrën e vepruesit të saj, i cili tërë jetën e vepron duke menduar se ajo është e vërtetë, mirëpo në fakt ajo është e kotë.

    E dyta: Besimi i dobët, dashuria ndaj dynjasë, e cila e mbisundon zemrën e njeriut dhe dashuria e dobët ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Atë të cilin epshet dhe pasionet e udhëheqin tërësisht do ta urrejë fenë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do ta urrejë përmendjen e vdekjes dhe momentin e saj, do ta urrejë largimin prej kësaj bote dhe takimin me Allahun. Në këtë rast frikohet për të se do t’i largohet besimi prej gjoksit të tij.

    Pasi që i përmendëm shkaqet e përfundimit të keq detyrohemi që ta angazhojmë veten me adhurime dhe devotshmëri, t’i largohemi mëkateve dhe asaj çka e ka ndaluar Allahu, të lutemi vazhdimisht që përfundimi ynë të jetë i mirë dhe të kemi mendim të mirë për Allahun.

    Abdullah ibën Amru, radijallahu anhu, na përcjell se e ka dëgjuar Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, duke thënë: “Të gjitha zemrat e bijve të Ademit janë në mes dy gishtave prej gishtave të Allahut sikurse një zemër e vetme, i rrotullon kah të dojë”.

    Dhe pastaj ka thënë: “O Ti, i Cili i rrotullon zemrat, forcona zemrat tona në nënshtrim ndaj Teje”.

    E lus Allahun, azze ue xhel, me emrat e Tij të bukura dhe cilësitë e Tij të larta të na mbron prej përfundimit të keq dhe gjithë rrugëve të cilat na drejtojnë kah ajo dhe të na mundësojë të vdesim ashtu siç dëshiron Allahu prej robit të Tij.

    Përgatiti dhe përktheu: Irfan Jahiu

  • E DREJTA E FQINJIT

    E DREJTA E FQINJIT

    Islami si Fe e Allahut erdhi me çdo gjë që është në dobi të robërve dhe vendeve dhe paralajmëroi nga çdo gjë që është e dëmshme për robërit dhe vendet. Kjo pa dyshim se vjen nga madhështia dhe përsosmëria e kësaj feje: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj” . (El-Maide: 3)

    Islami si Fe erdhi me të gjitha dobitë dhe të mirat që ia sigurojnë individit dhe shoqërisë një jetë të lumtur nën hijen dhe tolerancën e tij. Dobitë e Islamit përfshijnë dobinë e individit me Zotin e tij, me veten e tij, me prindërit e tij dhe me të gjithë njerëzit e tjerë.

    Sot me lejen e Allahut në këtë hutbe do të flasin rreth një lidhjeje nga lidhjet që nxit në të Islami, madje paralajmëron dhe kërcënohet për mosrespektimin e saj dhe ajo lidhje është lidhja e fqinjësisë. Fqinji në Islam ka emër të madh dhe pozitë të lartë dhe këtë e dëshmojnë shumë citate që kanë ardhur rreth çështjes së fqinjit.

    Allahu i Madhëruar thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfrit, fqinjët e afërt dhe të largët” . (En-Nisa: 36)

    Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Xhibrili ka vazhduar duke më porositur për fqinjin derisa unë mendova se ai do ta trashëgonte (fqinji-fqinjin pas vdekjes, do ta bënte në rang të njëjtë me trashëgimtarët)” .

    Ebu Shurejh, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Pasha Allahun nuk ka besuar, pasha Allahun nuk ka besuar, pasha Allahun nuk ka besuar” . I thanë: Kush, o i Dërguar i Allahut? U përgjigj: “Ai nga dora e të cilit nuk është i sigurt fqinji i tij” .

    Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, dhe dijetarët e tjerë e cekin se ky hadith na lajmëron për madhështimin e të drejtave të fqinjit dhe se dëmtimi i tij është nga mëkatet e mëdha.

    Ebu Hurejra, Allahu e mëshiroftë, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush i beson Allahut dhe Ditës së Kiametit mos ta shqetësojë fqinjin e tij” . Më një transmetim tjetër: “Kush i beson Allahut dhe Ditës së Kiametit le ta fisnikërojë fqinjin e tij” .

    Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk është fqinjësi e mirë të mos e dëmtosh fqinjin, por fqinjësi e mirë është t’i përballosh dëmet e fqinjit” .

    Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Nga e drejta e fqinjësisë është që t’i bësh mirë atij dhe mos ta shqetësosh atë” .

    Disa thanë: “Nëse tri cilësi i gjen tek një njeri atëherë mos dysho në mendjen dhe moralin e tij: nëse e falënderon fqinji, akraballëku dhe shoku i tij” .

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Le të mos e pengojë fqinji-fqinjin në mbjelljen e drurit në murin e tij” .

    Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i ka thënë: “O Ebu Dher, nëse je duke përgatitur salcë me mish shtoja ujin dhe gostite fqinjin tënd” .

    Disa nga komentuesit e haditheve rreth këtij hadithi thanë: “Hadithi aludon në nxitjen kah virtytet e larta të moralit dhe në udhëzim kah përmirësimi i tyre duke e pasur parasysh se nga kjo vepër rrjedh dashuri dhe afërsi dhe se me të arrihet dobi dhe largohet dëmi dhe nevoja. Ka mundësi që fqinji së bashku me familjen dhe fëmijët e tij të vegjël të shqetësohen nga era e përgatitjes së ushqimit të fqinjit sepse nuk ka mundësi të arrijë ta ushqejë familjen e tij me atë ushqim dhe me këtë mënyrë ua plotëson dëshirat dhe ua largon brengat dhe dhembjet” .

    Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Shoku më i mirë tek Allahu është ai i cili është më i mirë për shokun e vet dhe fqinji më i mirë tek Allahu është ai i cili është më i mirë për fqinjin e vet” .

    O muslimanë, nga dukuritë shoqërore që nuk përgëzojnë për hajr është dukuria e ndërprerjes së lidhjes me fqinjin dhe mosdhënia e drejtave të tyre madje pa asnjë arsye të mjaftueshme.

    Nga dukuritë e këqija numërojmë se disa nga fqinjët ndjejnë ashpërsi nga disa fqinjë të tyre edhe pse ata përpiqen me të gjitha mënyrat që t’i afrohen atyre qoftë ajo me dhënien e selamit apo me dërgimin e ftesës për vizitë, mirëpo ata thjesht nuk janë të interesuar që të kenë lidhje me njëri-tjetrin. Ka raste kur fqinjët mes tyre asnjëherë nuk e vizitojnë njëri-tjetrin dhe ka raste që fqinji-fqinjin nuk e njeh dhe as emrin nuk ia di edhe pse jetojnë me një lagje me vite të tëra.

    Nga dukuritë negative dhe të këqija numërojmë edhe atë se disa nga fqinjët preken shumë dhe nevrikosen kur fqinji apo mysafiri i fqinjit ia parkon makinën para derës së tij dhe madje ka raste kur edhe fqinji i bërtet me zë të lartë fqinjit të tij dhe çështja arrin deri në konflikt fizik.

    Nga dukuritë e këqija numërojmë edhe atë se disa nga fqinjët ua ndalojnë grave dhe familjes së tyre që t’i vizitojnë fqinjët tjerë dhe mos të kenë lidhje me ta. Nëse ndalesa vjen për arsye fetare dhe se me këtë vepër i mbrohet familjes nderi nga fqinjët që janë mëkatarë atëherë kjo lejohet dhe madje preferohet dhe shpërblehet për këtë vepër sepse kryefamiljari është përgjegjës i familjes para Allahut të Madhëruar. Nëse ndalesa e familjes për vizitën e fqinjëve vjen si pasojë e pasimit të epshit apo nga vetë natyra e personalitetit të tij atëherë ai detyrohet që ta luftojë epshin dhe shejtanin dhe të kujdeset që sa më shumë t’i afrohet atyre me vepra që e shtojnë dashurinë mes tyre.

    O muslimanë, ajo çka është më e çuditshme në lidhjet fqinjësore është se disa gra janë më të hajrit në aspektin e vizitës dhe marrëdhënieve mes fqinjëve se sa burrat e tyre. Vërejmë disa nga gratë të cilat kur vendoset një grua tjetër në lagjen e tyre shkojnë tek ajo me pije dhe ushqime të ndryshme dhe shoqërohen dhe i vazhdojnë vizitat mes tyre.

    Nëse gjendja e grave sa i takon lidhjeve fqinjësore është kjo atëherë gjendja mes fëmijëve është edhe më e shpejtë sa i përket afërsisë mes tyre. I sheh fëmijët se si njoftohen mes tyre dhe lozin së bashku dhe e vizitojnë njëri-tjetrin, kurse në anën tjetër i sheh burrat se si nuk e afrojnë njëri-tjetrin dhe kjo pa dyshim se duhet të përmirësohet dhe të ndryshohet sa më shpejt.

    Ajo që është për të uruar dhe lavdëruar për disa fqinj është lidhja dhe marrëdhëniet e mira mes tyre dhe vizita e njëri-tjetrit. Nuk udhëton ndonjëri nga ata derisa nuk i lajmëron të gjithë për nisjen e tij dhe nuk kthehet nga udhëtimi vetëm se i përshëndet të gjithë, nuk bie në shtratin e sëmundjes ndonjëri nga ata vetëm se shkojnë të gjithë dhe e vizitojnë. Kjo pa dyshim se është një nga dukuritë e lavdëruara në të cilën nxit Islami dhe e pëlqen dhe mbi ta bazoi shumë shpërblime në këtë dynja dhe në ahiret.

    Dashuria dhe afërsia mes fqinjëve jep shumë dobi si, ndihmesa e të varfrit në mesin e tyre, vizita e të sëmurit, këshilla e mëkatarit, largimi i ashpërsisë dhe egërsisë mes tyre, dhe shumë të tjera që janë shkak për fitimin e shpërblimeve të shumta dhe kënaqësisë së Allahut.

    E lus Allahun që t’i bashkojë zemrat e tona dhe t’i përmirësojë ato dhe të na drejtojë të gjithëve në rrugë të drejtë.

    Shejh Dr. Abdulaziz Sed’han

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • VLERA E MUSLIMANIT

    VLERA E MUSLIMANIT

    O muslimanë! Allahu e krijoi Ademin, alejhi selam, me duart e Veta, dhe i urdhëroi melekët t’i bien në sexhde Ademit. Të gjithë i ranë, përveç Iblisit, i cili refuzoi dhe u tregua kryeneç dhe mendjemadh. Me këtë vepër e meritoi të largohet nga mëshira e Allahut. Nga ligjet e Allahut në krijesat e Tij u bë që ai i cili i nënshtrohet urdhrave të Zotit të tij dhe i pason të dërguarit e Tij, do të fitojë lumturinë e dy botëve. Kurse ai i cili tregohet mendjelartë, dhe bën mëkat dhe nuk i pason të dërguarit e Tij, do të bëhet nga të fatkeqit dhe të shkatërruarit. Allahu thotë: “Nuk janë të barabartë banorët e Xhehenemit dhe banorët e Xhenetit; banorët e Xhenetit do të jenë të fituarit”. (El-Hashr: 20)

    Allahu e ngriti pozitën e muslimanëve, njësuesve të Allahut, dhe i urdhëroi melekët të luten për ta dhe për pasardhësit e tyre, dhe për gratë e tyre. Allahu tha: “Ata (engjëj), që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata lypin falje për besimtarët, duke thënë: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të Zjarrit flakërues. O Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të devotshmit prej prindërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre! Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti”. (El-Gafir: 7-8)

    Çdo i dërguar lutej për besimtarët dhe besimtaret! Nuhi, alejhi selam, tha: “Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret!”. (Nuh: 28) Kurse Allahu i tha Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret!”. (Muhamed: 19)

    Allahu e deshi besimtarin dhe e afroi kah ai: “Allahu i do ata që (i) frikësohen (Atij)”. (Et-Teube: 4) Dhe e përkrahu me ndihmën e Tij: “Është detyra Jonë që t’i ndihmojmë besimtarët”. (Er-Rum: 47) Dhe Allahu është me besimtarët, duke i përkrahur dhe duke i përforcuar: “Kujto (o Muhamed) kur Zoti yt i frymëzoi engjëjt: “Unë jam me ju, andaj forcojini ata që besojnë”. (El-Enfal: 12) Dhe zbriti ushtarë nga qielli për t’ju ndihmuar: “Ju kërkuat ndihmë nga Zoti juaj e Ai ju përgjigj: Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj të cilët do të vijnë njëri pas tjetrit”. (El-Enfal: 9) Begatitë në tokë i shndërroi në ndëshkim për armiqtë e muslimanëve, kështu që e bëri erën t’i sulmon ata: “O besimtarë! Kujtoni dhuntinë e Allahut kur ju erdhi një ushtri (idhujtarësh), e Ne dërguam mbi ata erë dhe një ushtri (engjëjsh) që ju nuk e shihnit”. (El-Ahzab: 9) Allahu është Ai që ua largon brengat dhe i udhëzon në vështirësi: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona”. (El-Ankebut: 69) Allahu është Ai që i ndihmon kundër armiqve të tyre. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush armiqëson një të dashur timin Unë e kam paralajmëruar për luftë”.

    Allahu u bëri muslimanëve që në zemra të kenë dashuri dhe mëshirë: “Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri”. (Merjem 96) Dhe tua përforcon këmbët dhe tua bën të drejta fjalë e tyre dhe tua bashkon zemrat e tyre: “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër”. (Ibrahim: 27)

    Allahu është garantuesi më i mirë se muslimanit do t’ia ruajë pasardhësit, qoftë ajo edhe pas shumë brezave, si shkak i bereqetit të veprave të tij të mira: E, sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt”. (El-Kehf: 82)

    Allahu besimtarit i premtoi jetë të mirë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë”. (En-Nahl: 97)

    Allahu punët e besimtarit i bëri të jenë të bereqetshme, në dynja dhe pas vdekjes së tij: I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Secili musliman që mbjell një fidan (pemë) e prej saj hanë njerëzit, kafshët dhe shpezët, do t’i jetë kjo sadaka deri në Ditën e Gjykimit”.

    Vizitën e një muslimani që ia bën vëllai i tij musliman, e bëri të jetë një ndër adhurimet më madhështore. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush viziton një të sëmurë apo ndonjë vëlla të tij, për hir të Alla­hut, thërret një thirrës: Të lumtë! Lum për ecjen tënde! Ke përgatitur në Xhe­­net një shtëpi!”.

    Zbardhja e mjekrës dhe flokëve të tij janë dritë dhe shkëlqim. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ndaloi shkuljen e qimeve të bardha dhe tha: “Mos i shkulni qimet e thinjura (bardha), sepse çdo muslimani që i zbardhet një qime në Islam, ajo do t’i bëhet dritë në Ditën e Kiametit”.

    Të gjitha gjendjet dhe sprovat e dynjasë, nga pikëllimi e gëzimi, muslimanit ia bëri hajr. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha. “Është e çuditshme puna e besimtarit. Gjithë jeta e tij është hajr. Nëse atij i vjen një e mirë, ai falënderon Zotin dhe merr shpërblim për këtë gjë. Nëse atij i bie një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe përsëri shpërblehet për këtë gjë e kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin”.

    Veprat e mira i shtohen shumëfish, kurse fatkeqësitë e pastrojnë nga gjynahet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha. “Gjithçka që e godet muslimanin, qoftë lodhje, sëmundje, gajle, brengë, cenim apo trishtim, madje qoftë edhe në gjemb që e thumbon, me secilën prej këtyre Allahu ia fal mëkatet.

    Sëmundja e besimtarit është thesar i deponuar për të tek Zoti i tij. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Sëmundja besimtarin e pastron nga gjynahet e tij, ashtu si e pastron zjarri arin dhe argjendin”.

    Sytë e tij nëse humben, janë shpëtim i tij nga zjarri i Xhehenemit. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Thotë Allahu: Kujt ia marr dy më të dashurit (sytë) dhe bën durim, duke shpresuar në shpërblimin Tim, nuk jam i kënaqur që ta shpërblej me asgjë tjetër, vetëm se me Xhenet”.

    Trupi i tij është i pastër, qoftë ai i gjallë apo i vdekur. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Muslimani nuk bëhet i papastër”.

    Asnjë nga bijtë e Ademit nuk lahet pas vdekjes së tyre, përveç muslimanit. Kush e përcjell xhenazen e tij dhe ia fal namazin e tij, derisa të lirohet nga varrimi i tij, kthehet me shpërblime sa dy kirate. Thyerja e eshtrave të tij i vdekur, është si t’ia thyesh ato të gjallë.

    Nga mirësitë e Allahut ndaj tij, është se shpërblimet e tij i shkojnë edhe duke qenë ai në varr: “Kur njeriu vdes, atij i ndërpritet puna, përveç tre gjërave: Lëmosha e vazhdueshme, dija nga e cila përfitohet pas tij, apo fëmija i mirë që lutet për të”.

    Për besimtarin janë përgatitur xhenete: “Xheneti me begatitë e tij është përgatitur për të: “Atë ditë Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm”. (Esh-Shuara: 90)

    Melekët i presin besimtarët tek dyert e Xhenetit, dhe i përshëndesin ata: (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!”. (Er-Ra’d: 23)

    I tërë sherri është i përmbledhur në poshtërimin dhe nënçmimin e vëllait musliman. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Për një njeri është e keqe e mjaftueshme që ta nënçmojë vëllain musliman”. 

    Për hir të shenjtërisë së tij tek Allahu, u urdhërua muslimani që të jetë me shpirt të qetë në jetën e tij, mos të ngatërrohet dhe mos të dëmtojë askënd. Madje çdo gjë që ka gjasa të arrihet dëmi nga ajo, Allahu e ndaloi t’i afrohet apo ta vepron atë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush kalon kah xhamitë apo tregjet tona, e me vete ka shigjetë (apo çfarëdo arme), le t’i mbaje në vendin e tyre ose le ta kape me shuplakën e tij për maje, që me të të mos pengojë ndonjë musliman”.

    Melekët e mallkojnë çdo njeri që i drejtohet muslimanit me hekur. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush ia drejton vëllait të tij armën, atë e mallkojnë melekët derisa të ulë armën edhe nëse e ka vëlla prej babe dhe nëne”.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ndaloi nga çdo gjë që e bën të mërzitshëm muslimanin, dhe tha: “Kur të jeni tre, derisa të përzihen njerëzit mos pëshpëritni ju dy e ta lini anash të tretin, se kjo e pikëllon atë”.

    Nëse ai bie në ndonjë mëkat apo gjynah, fshehja e tij është fshehje për ty Ditën e Kiametit. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush ia mbulon të metat një muslimani, Allahu ia mbulon të metat atij Ditën e Kiametit”.

    Nëse i ngushtohen atij punët dhe i vinë vështirësitë, kush i ndihmon atij, Allahu do t’i ndihmojë në Ditën e Kiametit. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush ia largon besimtarit një brengë të kësaj bote, Allahu do t’ia largojë një brengë të ahiretit”.

    Dëmtimi i tij me gjuhë është e ndaluar. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Vrasja e muslimanit është kufër e sharja-ofendimi i tij mëkat”.

    Mallkimi i tij është e njëjtë si vrasja e tij. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Mallkimi i muslimanit është si vrasja e tij”.

    Kush shpifën ndaj tij pa argument rrahet me tetëdhjetë kamxhik. Kurse ata që i dëmtojnë muslimanët dhe i torturojnë, Allahu u premtoi se do ta marrin ndëshkimin e tyre të merituar: “Pa dyshim, ata që i përndjekin besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me djegie”. (El-Buruxh: 10)

    Pasuria e muslimanit është e mbrojtur, as nuk vidhet, e as nuk merret pa leje, e as që uzurpohet: “Çdo musliman kundruall çdo muslimani e ka haram gjakun e tij, pasurinë e tij, dhe nderin e tij”.

    Kush betohet në Allahun pa të drejtë që t’ia merr vëllait të vet pasurinë, Allahu do ta gjuan në zjarr. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush e ndan një njeri musliman nga e drejta e tij me betimin e tij, vërtet Allahu ia ka siguruar zjarrin e Xhehenemit dhe ia ka ndaluar Xhenetin”. Një njeri tha: “A është kështu edhe nëse është një gjë e vogël o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Qoftë kjo edhe sa një degë (fije) e misvakut”. 

    Pasuria e tij respektohet edhe pas vdekjes së tij. Nuk i lejohet që ta merr atë askush, përveç se atyre që e trashëgojnë sipas rregullave fetare, dhe që janë musliman. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Nuk trashëgon muslimani jomuslimanin, dhe jomuslimani muslimanin”.

    Gjaku i muslimanit tek Allahu është shumë i shenjtë. Ai është gjëja e parë që do të llogaritet njeriu sa i përket zënkave dhe mospajtimeve. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Gjëja e parë që do të llogariten krijesat në Ditën e Kiametit është gjaku”.

    Gjaku i muslimanit është më i shtrenjti tek Allahu. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Me të vërtetë zhdukja e dynjasë është më e lehtë për Allahun sesa vrasja padrejtësisht e besimtarit, nëse në vrasjen e tij do të kishin marrë pjesë banorët e qiejve dhe të tokës, Allahu do t’i dënonte me zjarrin e Xhehenemit.”

    Një dijetar thotë: “Ai që tenton ta vret atë për të cilën është krijuar toka për hir të tij, vetëm se ka tentuar ta zhduk dynjanë”.

    Vrasja e një shpirti të muslimanit llogaritet vrasje e tërë njerëzimit. Allahu thotë. “Kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve”. (El-Maide: 32)

    Gjaku i muslimanit nuk lejohet vetëm se në tri raste. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Nuk lejohet derdhja e gjakut të muslimanit përveçse me një nga tre gjëra: i martuari që bën kurvëri, vrasësi dhe felëshuesi që përçan komunitetin”.

    Derdhja e gjakut të muslimanit e detyron mallkimin dhe zemërimin e Allahut. Allahu thotë: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh”. (En-Nisa: 93)

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ka mëkat më të madh pas kufrit, sesa vrasja e një shpirti pa të drejtë”.

    O muslimanë, edhe përskaj pozitës së lartë që e kanë muslimanët, njësues të Allahut, tek Allahu, prapë se prapë gjaku i tyre derdhet nëpër shtete të ndryshme, ditën e natën, haptazi e fshehurazi. Njeriu gdhihet i frikuar, kurse e arrin mbrëmja të lënduar. Bie i pikëlluar dhe gdhihet i vrarë. I merren pasuritë, i uzurpohen pronat, i shkatërrohen mirësitë, i vriten pasardhësit e tij, gratë u mbeten pa burra, e fëmijët u bëhen jetimë, sëmuret i shëndoshi, varfërohet i pasuri, robërohet i liri, nënçmohet i ndershmi, ndryshohen ligjet dhe shkatërrohen simbolet fetare.

    Vinë lajme të njëpasnjëshme nga derdhjet e gjakut në mesin e muslimanëve. Le ta ndërpresin gjakderdhjen dhe le t’i largohen padrejtësisë dhe le t’i kthehen burimit të pastër të drejtësisë dhe Islamit, dhe le të punojnë me porosinë e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili tha: “Mos u ktheni pas meje në femohues, e t’ia preni qafën njëri-tjetrit”.

    Jetuan jomuslimanët nën flamurin e muslimanëve, edhe atë një periudhë të gjatë, edhe atë me siguri dhe paqe dhe me të drejta të garantuara, pa vrasje dhe pa padrejtësi. Pse të mos përhapet siguria dhe mirësia tek popujt e muslimanëve që ta adhurojnë Zotin e tyre në rehati dhe ashtu si i urdhëroi Ai?!

    Allahu e din shumë mirë se kush bën padrejtësi, dhe atij ia jep atë që e meriton, dhe do t’i ndihmojë të dobëtit nëse ata i drejtohen me lutje dhe mbështetje Atij.

    Allahu thotë: “Vërtet, ndëshkimi i Zotit tënd është i ashpër!”. (El-Buruxh: 12)

    Dr. Abdulmuhsin El Kasim

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • RREZIKU I PADREJTËSISË

    RREZIKU I PADREJTËSISË

    Frikohuni Allahut dhe largohuni padrejtësisë. Çdo ditë dëgjoni për përfundimet e zullumqarëve dhe shikoni me sytë e juaj se çfarë ndëshkime u dërgon Allahu atyre dhe familjeve të tyre duke ua shkatërruar pasuritë, shtëpitë dhe duke ua zhdukur gjurmët sikur se të mos kishin qenë prezentë asnjëherë më herët. Këto pamje le të mbeten mësim për ju, i lumtur është ai i cili merr mësim prej të tjerëve.

    Padrejtësia ndahet në tre lloje:

    Lloji i parë: Padrejtësia mes robit dhe Zotit të tij, e ajo është shirku. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. (Llukman: 13) Këtë lloj padrejtësie Allahu e falë vetëm se me pendim të sinqertë. Në rast se robi vdes pa u penduar prej këtij mëkati Allahu nuk do t’ia falë asnjëherë në ahiret. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij”. (En-Nisa: 48), dhe “Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës”. (El-Maide: 72)

    Lloji i dytë: Padrejtësia që ia bën njeriu vetvetes me veprimin e mëkateve duke e përjashtuar këtu shirkun. Në këtë rast njeriu është vet shkaktar për fitimin e  zemërimit të Allahut ndaj tij dhe dënimin e tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato”. (Et-Tehrim: 6) Ky lloj i padrejtësisë është nën vullnetin e Allahut, si të do ia falë robit të Tij e si të do e dënon. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë”. (En-Nisa: 48)

    Lloji i tretë: Padrejtësia mes njerëzve duke ia cenuar njëri tjetrit shenjtërinë e gjakut, nderit dhe pasurisë. Ky lloj i padrejtësisë nuk falet, përveç se kur do ta falë ai që i është bërë padrejtësi. Në rast se i dëmtuari nuk dëshiron që t’ia fal dëmtuesit, atëherë i jepet mundësia të kërkon që dëmtuesi të dënohet në dynja dhe ahiret.

    Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij e shënon një hadith prej Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Do t’u hakmerreni Ditën e Kiametit mes vete (dëmtuesi do t’i kthejë padrejtësitë me dhurimin e të mirave tek i dëmtuari dhe do t’i marrë të këqijat), derisa edhe kafshët do të hakmerren mes vete delja pa brirë do të hakmerret ndaj deles me brirë”.

    Imam Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, në librat e tyre e shënojnë një hadith tjetër prej Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: ‘‘Kush i ka bërë një padrejtësi vëllait të vet në nderin e tij a diku tjetër, le t’i kërkojë falje atij për sot, para asaj kur nuk do të ketë dinarë e as dërhemë: por nëse nuk do të ketë vepra të mira, atëherë do t’i merren mëkatet e të dëmtuarit dhe do t’i jepen atij (që ka bërë zullum)”.

    Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, po ashtu e shënon një hadith tjetër prej Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “A e dini kush është i falimentuar (muflis)?” I thanë: “I falimentuar te ne është ai i cili nuk ka as para, as mall”. Tha: “I falimentuar i umetit tim është ai që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, me zekat, me agjërim dhe vjen me mëkatin e sharjes së një personi, me shpifje të një tjetri, me ngrënien e pasurisë së një tjetri, me gjakderdhjen e një personi, me rrahjen e një tjetri, kur t’u jepen atyre prej veprave të mira të këtij dhe nëse harxhohen mirësitë e tij para se t’u paguhen borxhet, atëherë do të merren prej mëkateve të tyre dhe do t’i ngarkohen këtij, pastaj ky do të hidhet në zjarr”.

    O muslimanë, nuk lejohet marrja e pasurisë së muslimanit përveç se me lejen dhe me dëshirën e plotë të tij. Shenjtëria e pasurisë së muslimanit është e barabartë me shenjtërinë e gjakut dhe nderit të tij, prandaj nuk të lejohet marrja e pasurisë së tij dhe vendbanimi në shtëpinë e tij pa lejen dhe dëshirën e tij. Profeti, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Kush bën zullum (dhunë, padrejtësi) sa një pëllëmbë tokë, do të jetë i ngarkuar me shtatë (do ta bartë në qafë në Ditën e Gjykimit)”.

    Disa prej njerëzve mendojnë se gjykimi i sunduesit apo gjyqtarit në favor të tij kundër vëllait të vet musliman ia jep të drejtën që t’ia merr pasurinë apo t’ia largojë vetes përgjegjësinë e marrjes së asaj pasurie. Kjo është gabim. Gjyqtari është njeri i cili mund të gabojë dhe t’ia qëllojë, por ti në rast se e di se nuk je meritor për atë pasuri detyrohesh që të largohesh prej saj. Ky është i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i cili u thoshte njerëzve: “Vërtet unë jam njeri, ju në konfliktet tuaja më drejtoheni mua. Është e mundshme që ndonjëri prej jush është më i aftë që t’i shtrojë argumentet e veta dhe unë të gjykoj në dobi të tij, sipas asaj që kam dëgjuar. Andaj kujt t’ia shqiptoj të drejtën e vëllait të tij, vërtet ia kam shkëputur një pjesë të zjarrit (të Xhehenemit)”.

    Ky hadith është prej argumenteve më të qarta se gjykimi i gjykatësit nuk e bën të ndaluarën hallall dhe nuk mund të jetë arsye për zullumqarin që nëpërmjet këtij gjykimi ta arsyetojë marrjen e pasurisë së huaj. Profeti, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Kush e padit tjetrin në të kotë dhe e dinë atë, do të jetë Allahu i zemëruar me të derisa ta largojë atë padi”.

    Këtij zullumqari i cili fshihet pas kësaj “perdeje” po t’ia kishte marrë ndokush pasurinë e tij me të njëjtin pretekst do t’i vinte shumë keq, do të ndjente në vete dhembje, do të kërkonte prej gjyqtarit që përsëri ta rishikojë çështjen e tij dhe do ta rriste zërin tërë ditën e natën kundër atij që i ka bërë padrejtësi.

    Prandaj, o ju robër të Allahut, frikojuni Allahut dhe frikojuni padrejtësisë dhe të gjitha llojeve të saj dhe dijeni se padrejtësia Ditën e Kiametit do të shumëfishohet: “Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes)”. (Esh-Shuara: 227) Përfundimi i zullumqarëve është i keq, dënimi i tyre në ahiret është me zjarr të xhehenemit dhe Allahu u kërcënohet me mallkim dhe me dënim të dhembshëm. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët”. (Hud: 18), dhe “Ne kemi përgatitur për mohuesit keqbërës një zjarr, që do t’i rrethojë nga të gjitha anët (si çadra). Nëse do të kërkojnë ndihmë, do t’u jepet një ujë si xehja e shkrirë, që do t’ua përcëllojë fytyrat. Sa pije e tmerrshme është ajo e sa strehim i keq është ai (zjarri)”! (El-Kehf: 29)

    O ti njeri i padrejtë e dëmtues, mos mendo se Allahu nuk do të hakmerret dhe nuk do të  ndëshkojë për ato padrejtësi e dëme që ua kë bërë njerëzve, të cilët nuk gdhihen në mëngjes vetëm se të zemëruar prej teje dhe nuk flenë natën vetëm se duke bërë dua kundër teje. Dije se duaja e të dëmtuarit ngrihet mbi qiej dhe mes saj dhe mes Allahut nuk ka hixhab: “Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad, banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe, të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?! Dhe me fisin Themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)? Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)? Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre, duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin, prandaj Zoti yt lëshoi mbi ata kamxhikun e dënimit. Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!”. (El-Fexhr: 6-14)

    Mjerë për ata që bëjnë padrejtësi ata janë të humbur në dynja, ndërsa në ahiret i pret dënim i dhembshëm. Do të kërkojnë ndihmë që t’ju lehtësohen vuajtjet, mirëpo nuk do t’ju përgjigjet askush. Për ta nuk do të ketë pushim, nuk do të ketë rehati, nuk do të ketë ndihmës dhe mëshirë, për ta do të ketë vetëm se dënim dhe dënim. Do të pendohen prej veprave të tyre dhe do t’ju rrjedhin lot si lumenj kur o t’ju kujtohen padrejtësitë dhe dëmet që ua bënin njerëzve, mirëpo ky pendim do të jetë i shumë vonuar.

    O muslimanë!

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin), dhe, duke vrapuar me kokë lart, nuk do të mund t’i lëvizin sytë, ndërsa zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri). Ti (o Muhamed) paralajmëroji njerëzit për Ditën që atyre do t’u vijë dënimi e keqbërësit do të thonë: “O Zoti ynë, na lër edhe për pak kohë! Ne do t’i përgjigjemi thirrjes Tënde dhe do t’i pasojmë të dërguarit!” Por atyre do t’u thuhet: “Vallë, a nuk betoheshit më parë se s’do të kishte zhdukje për ju? Ju banuat në vendbanimet e atyre që e kishin ngarkuar veten me gjynahe dhe e kishit të qartë se si kishim vepruar me ta. Dhe Ne ju kishim treguar shumë shembuj.” Ata kurdisin dredhitë e tyre, por Allahu i di dredhitë e tyre. Edhe sikur prej dredhive të tyre të shembeshin malet, ata nuk do t’ia dalin mbanë. As mos mendo se Allahu nuk do t’ua mbajë premtimin e Vet të dërguarve. Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim. Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Ngadhënjyesit Allah. Dhe atë ditë do t’i shohësh keqbërësit të lidhur në pranga; rrobat do t’i kenë prej katrani e zjarri do t’ua mbështjellë fytyrat, (Kështu do të jetë) në mënyrë që Allahu të shpërblejë cilindo për atë që ka punuar. Allahu është vërtet i shpejtë në llogari. Ky (Kur’an) është shpallje e qartë për njerëzit, me qëllim që ata të marrin paralajmërim nëpërmjet tij, që ta dinë se Allahu është Një Zot i Vetëm dhe që të këshillohen njerëzit e mençur!” (Ibrahim: 42-52)

    Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • TË KAPURIT PËR KUR’AN DHE SUNET

    TË KAPURIT PËR KUR’AN DHE SUNET

    Falënderimi i takon vetëm se Allahut që na bëri muslimanë dhe na dalloi nga jobesimtarët. Falënderimi i takon vetëm se Allahut, i Cili na dhuroi mendjen dhe na dalloi nga kafshët. Lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi Muhamedin, i biri i Abdullahut dhe rob i Allahut.

    O muslimanë, jemi dëshmitarë okularë se në mesin e muslimanëve sprovat dhe belatë janë shtuar, në mendime nuk janë të pajtuar dhe gjaku derdhet në mesin e tyre! Të gjithë pyesin, se ku është rrugëdalja? Cila është rruga e fikjes së zjarrit të sprovave dhe grindjeve mes vete dhe si të ec umeti drejt sigurisë dhe paqes?

    Allahu i Madhëruar thotë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kur’anin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë”. (Ali Imran: 103)

    Të kapurit për Kur’an dhe Sunet është detyrimi më madhështor në Islam dhe shtylla më e vlefshme. Nëpërmjet tyre realizohet mbrojtja dhe shpëtimi për umetin, ashtu si kapet për litarin kur e gjen ai që është duke u fundosur në det.

    Islami është i vetmi i cili i bashkon zemrat e ndara, dhe e fikën të keqen e zjarrtë dhe e largon urrejtjen e shpirtrave. Allahu i Madhëruar thotë: “duke i bashkuar zemrat e tyre (si një zemër e vetme). Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Urtë”. (El-Enfal: 63)

    Të kapurit për litarin e Allahut është mbrojtje nga devijimi dhe lajthitja. Bashkon Umetin nën flamurin “la ilahe il-lallah Muhamedun resulullah”, dhe e forcon lidhjen mes tyre dhe i largon qëllimet personale dhe i ul poshtë flamujt e rrejshëm dhe nëpërmjet saj ballafaqohet mashtrimi dhe trillimet e armikut.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell nga i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Allahu te ju i do tri gjëra dhe tri të tjera i urren. Ai do që ju ta adhuroni Atë dhe mos t’i përshkruani ortak në asgjë, të kapeni për litarin e Allahut të gjithë dhe mos të përçaheni dhe ta këshilloni atë që Allahu e bëri prijës tuajin. Allahu te ju urren bisedat e pavlera e që sjellin gjynahe, pyetjet e shumta (të pavlera dhe me qëllim kundërshtimi) dhe shpërdorimin e pasurisë”.

    Allahu i Madhëruar thotë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kur’anin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja”. (Ali Imran: 103)

    Lufta mes dy fiseve Eusit dhe Hazrexhit vazhdoi një qind e njëzet vite, kurse baza e prejardhjes së dy fiseve ishte e njëjta. Me ardhjen e Islamit u fik urrejtja në shpirtrat e tyre dhe i largoi ideologjitë e injorancës i bashkoi zemrat e tyre dhe i bëri vëllezër.

    Kur i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u ligjëroi ensarëve në çështjen e plaçkave të luftës së Hunejnit, ndër tjerash u tha: “O ju ensarë, a nuk ju gjeta të devijuar dhe Allahu ju udhëzoi nëpërmjet mua?! A nuk ju gjeta të varfër dhe Allahu ju pasuroi me mua?! Dhe çdo herë që thoshte diçka, ata pohonin: Allahu dhe i Dërguari i Tij na dhuroi! Për këtë arsye Allahu tha: “nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato”. (El-Enfal: 63)

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Farefisi mundet të shkëputet dhe begatitë të mohohen, por kur Allahu i ofron zemrat, nuk mundet ti lëkund askush, asnjëherë”, dhe pastaj e lexoi ajetin: “Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato”. (El-Enfal: 63)

    Një njeri i tha Ibën Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur me të: Si u gdhitë?! Iu përgjigj: U gdhimë me begatinë e Allahut, vëllezër!

    Pse mos të jenë vëllezër, kur Zoti i tyre është një, i Dërguari i tyre është një dhe Kibla e tyre është një?!

    Për ta vërtetuar këtë rregull madhështore, sheriati përgatiti sebepe që e forcojnë këtë lidhje dhe bashkim. Namazi me xhemat është sebep i bashkimi të muslimanëve pesë herë brenda dite, pastaj namazi i xhumasë një herë në javë, pastaj bashkimi vjetor gjatë namazit të Bajramit. Zeqati paraqet solidaritet shoqëror dhe mëshirë dhe mirësjellje. Agjërimi i Ramazanit e bashkon Umetin me veprat e tij gjatë ditës dhe natës. Gjatë Haxhit takohen muslimanët nga të gjithë vendet e botës, me raca të ndryshme, gjuhë të ndryshme dhe nacionalitete të ndryshme. E përshëndetin njëri-tjetrin me selam dhe jetojnë disa ditë së bashku të vëllazëruar.

    Por ajo që e bën zemrën me dhembje dhe ia shton brengat, është ajo që e shohim nga ndarjet e dhembshme dhe mospajtimet e rënda në trupin e Umetit.

    Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shejtani ka humbur shpresat se do të adhurohet në Siujdhesën Arabike, mirëpo ai shpreson në nxitjen e mosmarrëveshjeve mes jush”.

    Përçarjet dhe mospajtimet dhe divergjencat e urryera, të cilat vijnë nga pasimi i epshit dhe qëllimeve personale, injorancës dhe padrejtësisë, e pengojnë ecjen e Umetit, e paralizojnë përparimin e saj, e dobësojnë fuqinë e saj, e largojnë nga realizimi i shpresave dhe arritjes së qëllimeve të saj.

    Kur’ani i paralajmëroi muslimanët nga përçarje e tillë, e cila i përçan edhe rreshtat dhe bënë që umetet të dobësohen dhe përçahen. Allahu thotë: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia”. (El-Enfal: 46)

    Përcjell Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe thotë se e dëgjova një njeri i cili lexoi një ajet dhe e dëgjova të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se e lexoi të kundërtën e asaj që lexoi njeriu dhe shkova deri tek ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe e lajmërova. Në fytyrën e tij pash urrejtjen dhe më tha: “Të dytë e keni mirë, mos u përçani. Ata që ishin para jush kishin mospajtime dhe u shkatërruan”.

    Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, ti s’ke të bësh fare me ata që e përçajnë fenë e tyre dhe shndërrohen në sekte. Te Allahu është puna e tyre e pastaj Ai do t’u tregojë çfarë patën punuar”. (El-En’am: 159)

    Shkaku i përçarjeve dhe mospajtimeve u vodhën pasuritë e muslimanëve, u morën tokat e tyre, muslimanët ia kthyen shpinën njëri-tjetrit, e dashuruan dhe e urryen njëri-tjetrin jo për hir të Allahut, madje arriti çështja derisa edhe ngrenë dorë njëri ndaj tjetrit dhe arriti deri te vrasja, duke menduar secili se është në të drejtë e tjetri në të kotë.

    Islami për këtë arsye ndaloi vrasjen mes vëllezërve në fe dhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Vërtet gjaku juaj, nderi juaj dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin e juaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend”.

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: Pashë Atë që në Dorën e Tij është shpirti im, ajo është porosi për umetin e tij: “Mos u ktheni pas meje në femohues, e t’ia preni qafën njëri-tjetrit”.

    Gjaku e ka vlerën e lartë, madje një pikë gjaku është shumë i shtrenjtë. Allahu thotë: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh”. (En-Nisa: 93)

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Vazhdon të jetë njeriu në gjerësinë e fesë përderisa nuk prek në gjak të ndaluar”.

    Me këtë na qartësohet se kapja për litarin e fortë të Allahut është mburoja e fortë për ta bashkuar fjalën e muslimanëve, fuqinë e tyre dhe rreshtat e tyre.

    Allahu i Madhëruar thotë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!”. (Esh-Shura: 13)

    Shejh Abdulbarij eth Thubejti

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • SHKAQET E RIZKUT

    SHKAQET E RIZKUT

    Po të kishte qenë risku i njeriut në duart e njerëzve, sa padrejtësi dhe sa urrejtje dhe sa çorodi do u bënte! Pasha Allahun, nëse atyre ju lihej kjo çështje në dorë do t’i bënin padrejtësi njëri-tjetrit dhe do ta urrenin njëri-tjetrin, madje do ta harronin dhe do ta neglizhonin njëri-tjetrin!

    Allahut i takon falënderimi dhe lavdërimi! Ai nuk i bën padrejtësi askujt, dhe nuk e dëmton, dhe nuk e harron, dhe nuk e neglizhon, po e begaton, dhe e mëshiron, dhe atij mirë i bën: “po edhe në vetet tuaja – a nuk e shihni vallë? Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar Betohem për Zotin e qiellit dhe të Tokës, se kjo (që ju premtohet) është e vërtetë, ashtu siç është të folurit tuaj”. (Edh-Dharijat: 21-23)

    Brenga për riskun i ka ngrënë disa zemra dhe i ka lodhur disa mendje. Disa njerëz kur dëgjojnë për ndryshimet ekonomike, dhe për ndryshimet e çmimeve, dhe për problemet jetësore, bien në depresion dhe stresohen, thuaj ti se ata nuk e dinë se Allahu garantoi furnizimin për të gjitha krijesat e Tij, besimtarë dhe jobesimtarë, të fortin dhe të dobëtin, të moshuarin apo të voglin: “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij. Ai di vendbanimin e saj dhe vendin e vdekjes. Të gjitha këto janë (të shënuara) në Librin e qartë”. (Hud: 6) dhe ”Sa krijesa ka që nuk e mbajnë dot veten me ushqim! Allahu u jep atyre dhe juve! Ai dëgjon dhe di gjithçka”. (El-Ankebut: 60)

    S’ka njeri që del nga kjo dynja pa e plotësuar riskun e tij. Allahu ia shënoi të birit të Ademit riskun dhe ia përcaktoi atë para se të del në dynja. Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: ”Më ka treguar i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kurse ai është ai i cili e fliste të vërtetën dhe të cilit i besohet: “Vërtet çdonjëri nga ju formohet në përbrendësen e nënës së tij dyzet ditë si pikë, pastaj bëhet e varur ngjashëm me këtë periudhë, pastaj, bëhet copë mishi ngjashëm me këtë periudhë, pastaj i dërgohet meleku dhe e frymëzon në të shpirtin, dhe këtij meleku i urdhërohen dy gjëra: ta shkruaj nafakën (riskun) (e fëmijës), exhelin (sa do të jetojë), veprat dhe (në pikëpamje të jetës tjetër) a është i fatshëm apo i pafatshëm.”

    Në vazhdim do t’i paraqesim disa nga shkaqet që e sjellin riskun të bazuara në Kur’an dhe Sunet.

    E para nga ato dhe më rëndësishmja është devotshmëria (takvaja). Ai që ia ka frikën Allahut dhe kapet për ligjet e Tij, i jep furnizim prej nga nuk i shkon mendja dhe prej nga nuk e pret dhe nuk e shpreson. Ky është premtim i prerë nga Allahu: ”Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret”. (Et-Talak: 2-3)

    Nga shkaqet e riskut është edhe istigfari (kërkim falja) dhe vazhdimësia në të. Allahu për Nuhin, alejhi selam thotë: ”e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh: 10-12)

    Dhe për Hudin, alejhi selam, thotë: “O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Mos u shmangni prej Atij duke qenë keqbërës!” (Hud: 52)

    Me një hadith përcillet: “Kush e shpeshton istigfarin Allahu do t’ia hap për çdo gjë nga një rrugë dhe për çdo vështirësi i ofron lehtësim dhe do ta furnizojë nga nuk e mendon”.

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë se kjo është argument se istigfari e sjell riskun dhe është shkak për zbritjen e shiut.

    Nga shkaqet e riskut është edhe mbështetja e drejtë në Allahun. Pra të lidhet zemra me Zotin e saj dhe t’ia mbështet çështjet Atij. Ai që i mbështetet Allahut, Ai i mjafton, dhe i largohet ajo që e preokupon dhe e mundon, dhe e furnizon prej ku nuk e pret. Përcillet me një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Sikur ju të mbështeteni ne Allahun me mbështetje të vërtetë, Allahu do t’ju furnizojë ashtu siç furnizon zogun, del në mëngjes i uritur dhe ngryset i ngopur”.

    Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky hadith është bazë për tevekulin (mbështetjen në Allahun) dhe është një nga shkaqet kryesore që e sjellin riskun”.

    Disa nga të parët tanë thoshin: Tevekuli ta sjell riskun pa lodhje dhe mundim!

    Ajo që duhet të dihet është se tevekuli (mbështetja në Allahun) nuk e kundërshton marrjen e shkaqeve dhe përpjekjen në kërkim të riskut. Allahu për sa i përket marrjes së shkaqeve të riskut tha: ”Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai”. (El-Mulk: 15) dhe tha: ”Ai e di se disa prej jush do të jenë të sëmurë, disa do të udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar mirësitë e Tij (për jetesë)”. (El-Muzemil: 20)

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, tha: Allahu në këtë ajet e barazoi atë që lufton në rrugë të Allahut me atë që del dhe e kërkon riskun në hallall, dhe atë e shpenzon për veten dhe familjen dhe për bamirësi. Dhe kjo është argument se të kërkuarit e riskut apo përfitimi është në gradë të luftës në rrugë të Allahut, sepse në ajet i ceki të dyja bashkë.

    Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: Mos ta lëre asnjëri nga ju kërkimin e riskut dhe të thotë: O Zot, më furnizo! Ju e dini se qielli nuk pikon ari dhe argjend!

    Nga shkaqet e riskut është edhe respektimi i lidhjes farefisnore.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: ”Kush dëshiron t’i shtohet risku (furnizimi) dhe t’i zgjatet jeta le të mbajë lidhjet farefisnore”.

    Respektimi i lidhjes farefisnore lë gjurmë të çuditshme dhe fryte të dëshmuara; duke filluar nga lehtësimi i rizkut dhe zgjatjes së jetës dhe mbjelljes së dashurisë.

    Prej urtësisë dhe meritës së Allahut është se e bëri shpenzimin nga shkaqet e shtimit të riskut. Ai që jep, Allahu ia zëvendëson dhe e bekon në atë që e posedon: ”Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë”. (Sebe’: 39) E zëvendëson me bereqet dhe me shtim të pasurisë në dynja, kurse në ahiret me shpërblime të mëdha: ”Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm”. (El-Bekare: 268)

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Dy janë nga Allahu dhe dy janë nga shejtani! Shejtani ju premton fukarallëk dhe thotë: mos shpenzo dhe mbaje për vete se ti ke nevojë për të dhe ju urdhëron në të ligë, kurse Allahu ju premton falje nga gjynahet dhe mëkatet dhe ju premton shtim në risk”.

    Në një hadith kudsij: ”O biri i Ademit, shpenzo (në bamirësi) e Unë do të shpenzoj për ty”.

    Dhe me një hadith të vërtetë: ”Nuk ka ditë që nuk zbresin dy melekë prej Allahut dhe thonë: O Allah, jepi atij që jep dhe atij që nuk jep shkatërroja pasurinë”.

    Prandaj shpenzoni dhe përgëzohuni me zëvendësim të gjerë nga mirësitë e Allahut. Madje Allahu tha: ”Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka, ndërsa i varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd mbi sa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin”. (Et-Talak: 7)

    Nga shkaqet e rizkut dhe të shtimit të tij është edhe bamirësia ndaj të varfërve dhe të mjerëve dhe nevojtarëve. Me një hadith përcillet: ”Vallë ndihma dhe rizku a nuk ju vjen nga shkaku i të ngratëve që keni në mesin tuaj”.

    Kjo i përfshin shtresat e nevojtarëve nga të varfrit, të mjerët, të sëmurëve, të huajve dhe atyre që nuk kanë familje.

    Nga shkaqet më madhështore të riskut dhe të shtimit të tij, madje ky shkak është gjithëpërfshirës i gjitha shkaqeve të mëhershme, është qëndrueshmëria në fenë e Allahut, dhe të vepruarit me vepra të mira dhe largimi nga ato të ligat. Risku nuk shtohet vetëm se me shtimin e adhurimeve dhe nuk pakësohet apo humbet vetëm se si shkak i gjynaheve dhe mëkateve. Robi privohet nga risku dhe furnizimi për shkak gjynaheve që i bën.

    Gjynahet, mëkatet dhe të ligat janë dyert më të mëdha që i mbyllin burimet e riskut, qoftë ajo për individin apo për shoqërinë! Gjynahet dhe mëkatet i vështirësojnë shkaqet e arritjes së riskut dhe e shkatërrojnë bereqetin: ”Sikur të qëndronin (banorët e Mekës) në rrugën e vërtetë, Ne do t’u jepnim ujë të bollshëm, për t’i vënë ata me këtë në sprovë. Por këdo që largohet nga këshillat e Zotit të tij, Ai do ta hedhë në një dënim të ashpër”. (El-Xhin: 16-17)

    Ai që do risku t’i shtohet dhe jetesa t’i përmirësohet dhe bereqeti ta kaplojë, le të kapet për fenë e Allahut, dhe le t’i respektojë ligjet e Tij, le t’i largohet ndalesave të Tij dhe ta mbrojë veten nga vendet që është i zemëruar Allahu me to!

    O ju muslimanë, frikojuni Allahut dhe meditoni këtë hadith të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ku thotë: ”Vërtetë Shpirti i Shenjtë (Xhibrili) e ka vulosur në zemrën dhe shpirtin tim se asnjë njeri nuk mund të vdes pa e plotësuar exhelin (afatin e jetës së tij), dhe pa e harxhuar apo shpenzuar rizkun e caktuar të Tij. Frikësojuni Allahut dhe kërkoni prej Tij, mos e lejoni veten për të mos kërkuar rizk prej Allahut e pastaj të kundërshtoni dhe të mos i përfillni urdhrat e Allahut. Vërtet prej Allahut përfitohet duke respektuar urdhrat e Tij”.

     Dr. Salih Humejd

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

  • DITA E GJATË

    DITA E GJATË

    Njerëzit në këtë botë jetojnë të shkujdesur dhe me shpresa të gjata. Prandaj, rikujtimi i shpirtit për realitetin e udhëtimin të tij është i domosdoshëm, me qëllim që ta ndërtojë ahiretin me dynjanë dhe ta shfrytëzojë të tashmen për të ardhmen. Allahu e bëri bindjen në Ditën e Kiametit prej shtyllave të besimit dhe na mësoi se do të vijë një ditë ku të gjitha krijesat do të zhduken: Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket. (Er-Rahman: 26) E pastaj do të vijë një ditë tjetër ku Allahu do t’i ringjall të gjitha krijesat prej varrezave, e i pari prej tyre do të ringjallet profeti jonë Muhamedi, salallahu alejhi ue selem. Të gjithë do të ringjallen të zhveshur, këmbëzbathur, të pa bërë synet: Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. (El-Enbija: 104) I pari i cili do të vishet prej krijesave do të jetë Ibrahimi, alejhi selam, njerëzit e mirë do të vishen me rroba fisnike, ndërsa të shëmtuarit do të vishen me rroba prej hekurit të shkrirë. Tubimi i tyre nuk do të jetë në këtë tokë dhe këta qiej, por do të jetë në tokën e mahsherit (vendi ku do të mblidhen njerëzit ditën e Ringjalljes). Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: O i Dërguar i Allahut, ku do të jenë njerëzit atë ditë? – U përgjigj: “Mbi urën e Siratit (ura që kalon mbi Xhehenem).

    Nuk do të përjetojnë robërit asnjëherë ditë më të vështirë se kjo ditë. Allahu e përshkroi këtë ditë si të vështirë e të rëndë, ku flokët e fëmijës do të thinjen, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihen si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, shikimet e tyre do të jenë të shtangur, pa lëvizje fare, nuk do të flet asnjëri prej tyre, do të ik njeriu prej të dashurve të tij, prej nënës, babait, fëmijës, gruas, ndërsa mëkatari do të dëshirojë që edhe më të dashurit e tij të hyjë në Xhehenem, e ai të shpëtojë: Për të liruar veten nga dënimi i asaj dite, fajtori do të sakrifikonte me gjithë qejf fëmijët e vet, edhe gruan, edhe vëllain e vet, edhe farefisin, që i gjendej pranë (në jetën e Tokës), si dhe të gjithë ata që gjenden në faqe të Tokës, nëse kjo do të mund ta shpëtonte. (El-Mearixh: 11-14)

    Toka do të dridhet e do të bëhet copë e thërrime, kodrat do të lëvizin, toka e kodrat do të ngrihen lart e do t’i mëshojnë njëra-tjetrës me një të goditur shkatërrimtare, kodrat do të bëhen rërë rrëshqitëse dhe do të bëhen si leshi i shprishur, kurse toka do të sheshohet nga rrënimi i maleve. Detet do të përzihen dhe do të vlojnë si zjarr flakërues, qielli do të bëjë një tronditje të fortë e do të çahet për shkak se atë ditë është i rraskapitur, e pastaj do të bëhet i kuq si vaj i shkrirë, yjet do të rrëzohen, dielli do të mblidhet e do të humbë shkëlqimin së bashku me hënën, ndërsa toka do të errësohet: Por, kur sytë t’i verbohen dhe të zihet Hëna dhe Dielli e Hëna të bashkohen. (El-Kijame: 7-9) Atë ditë njerëzit do të jenë si fluturat e shpërndara, egërsirat do të tubohen dhe shpirtrat do të bashkohen (me trupat), fletët do të shpërndahen, Xhehenemi do të flakërojë, Xheneti do të afrohet, edhe melekët nga të gjitha anët do të jenë të pranishëm në dijeni dhe llogari para Allahut, me zërin e tyre do ta lavdërojnë Allahun dhe të gjithë do të jenë të frikësuar nga pamja e tyre madhështore dhe zëri lavdërues. Atë ditë çdokush do të marrë vesh çfarë kishte përgatitur për këtë ditë. Do të shpalosen zemrat e fshehtësitë, mëkatari do të pendohet për mëkatet e bëra dhe do të shpresojë që asnjëherë mos t’i kishte vepruar dhe afruar atyre. Njerëzve nuk do t’ju lejohet që të flasin dhe as të arsyetohen për veprat e tyre: Kjo është një ditë, kur ata nuk do të mund të flasin dhe nuk do t’u jepet leje për t’u shfajësuar. (El-Murselat: 35-36)

    Gjendja e njerëzve të mirë dhe besimtarëve:

    Atë Ditë do të ketë fytyra rrëzëllore, të qeshura e të gëzuara. Atë Ditë do të ketë edhe fytyra të pluhurosura, që do t’i mbulojë errësira. Dielli me ngrohtësinë e tij do t’u afrohet njerëzve me largësi prej vetëm një miljesh, e nuk do të ketë aspak hije, pos hijes së Arshit të Allahut, Zotit të botëve, disa do të jenë nën hijen e Tij e disa në diellin e nxehtë, të ngushtuar dhe të përplasur në njëri-tjetrin, duke i kapluar etja për ujë, e djerset do t’u rrjedhin për tokë, e do t’i mbulojnë disa deri në zokth të këmbëve, e disa deri në gjunjë, e disa deri në fyt, në pajtim me veprat e tyre. Profeti, alejhi selam, thotë: “Mundimet dhe mërzitë e njerëzve do të arrijnë atë ditë aq shumë sa nuk do të mund t’i përballojnë” .

    Gjendja e mëkatarëve dhe jobesimtarëve:

    Mëkatari atë ditë do të pendohet fort për mos kryerjen e adhurimeve në dynja dhe prej pikëllimit të madh do të hajë gishtat e duarve të veta. Allahu, azze ue xhel, thotë: Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kur’ani) që më kishte ardhur!. (El-Furkan: 27-29) Mëkatari do ta urrejë veten, familjen, shokët dhe çdo dashuri të cilin nuk e kishte bazuar mbi baza fetare do ta shndërrojë në armiqësi.

    Sunduesit e botës nuk do të kenë më sundim pos nënçmim, ngase do të jenë më të vegjlit në formë dhe më të përulurit në atë ditë dhe në atë vend. Atë ditë shumëfishohet padrejtësia e dynjasë, ashtu siç na njofton Profeti, alejhi selam: “Padrejtësia në Ditën e Kiametit shumëfishohet” . Njerëzit do të hakmerren, dëmtuesi do t’i kthejë padrejtësitë me dhurimin e të mirave tek i dëmtuari dhe do t’i marrë të këqijat, po ashtu edhe kafshët do të hakmerren mes vete (siç dëftojnë për këtë disa hadithe se kafsha pa brirë do të hakmerret ndaj kafshës me brirë). Njerëzit më të këqij në Ditën e Kiametit do të jenë njerëzit me dy fytyra, të cilët disave u janë paraqitur me një fytyrë, e disa të tjerëve me fytyrë tjetër. Kush e shpëton një të brengosur (ia largon brengat), Allahu ia largon atij një brengë prej brengave të Ditës së Kiametit. Kush ia lehtëson dikujt një çështje që i është vështirësuar, Allahu ia lehtëson atij në këtë botë dhe në ahiret (botën e ardhshme). Kush ia mbulon një të metë vëllait të vet, Allahu ia mbulon atij në dynja dhe ahiret. Njerëzit e drejtë do të ulen në minberë prej drite në anën e djathtë të Allahut. Çdo njeri do të ringjallet ashtu si ka vdekur, si të kishte vdekur në Haxh do të ringjallet duke bërë telbije (duke thënë Lebbejke Allahume Lebbejke), si të kishte vdekur në rrugë të Allahut do të ringjallet dhe ngjyra e tij, ngjyrë gjaku, kurse era e tij, erë misku. Muezinët atë ditë do të jenë me qafa më të gjata, çdo gjë që e ka dëgjuar ezanin e tij do të dëshmojë për të në Ditën e Kiametit. Çdo njeri atë ditë do të jetë nën hijen e lëmoshës së tij derisa Allahu të gjykojë mes njerëzve. Çdo vepër e robit do të peshohet në peshore, qoftë e madhe apo e vogël, Allahu askujt nuk do t’i bën padrejtësi: Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë. (Ez-Zelzele: 7-8) Fjala elhamdulilah e mbush peshoren, subhanallahi ue bihamdihi subhanallahi el adhim janë të rënda në peshore. Profeti, alejhi selam, në një hadith thotë: Dy fjalë të lehta për t’u shqiptuar, të rënda në peshore, të dashura tek Zoti, ato janë: “subhanallahi ue bi hamdihi, subhanallahi el adhim.”

    Atë ditë librat do të shpalosen, sa prej veprave i ke harruar, sa prej mëkateve që i ke fshehur do të paraqiten, librat do të lexohen, gjymtyrët do të flasin, melekët do të dëshmojnë, po ashtu Allahu do të jetë dëshmitar për të gjitha veprat: Në çfarëdo pune që të jesh, çfarëdo gjëje që të lexosh nga Kur’ani dhe çfarëdo pune që të bëni (o njerëz), Ne jemi dëshmitarë, kur ju të thelloheni në të. Zotit tënd nuk i fshihet asnjë grimë peshe, në Tokë e në qiell; as më pak nga ajo e as më shumë nuk mbetet pa u shënuar në Librin e qartë. (Junus: 61) Pasi që të gjykohet mes kafshëve do të fillon gjykimi mes njerëzve. Umeti i parë i cili do të gjykohet do të jetë umeti i Muhamedit, alejhi selam. Po ashtu ky Umet do të jetë i pari i cili do të kaloj mbi Sirat dhe i pari i cili do të hyjë në Xhenet. Profeti, alejhi selam, thotë: “Ne jemi të fundit, mirëpo të parët në Ditën e Kiametit” .

    Allahu, azze ue xhel, në Ditën e Llogarisë do ta fisnikërojë Muhamedin, alejhi selam, me një krua (Haud), i cili është i gjerë dhe i gjatë një muaj distancë udhëtim. Uji i tij është më i bardhë se qumështi, ndërsa era e tij më e këndshme se parfumi (misku). Aty do të shuajnë etjen vetëm besimtarët e sinqertë të këtij Umeti, kush pi prej tij nuk ndien etje më kurrë. Disave prej umetit do t’u ndalohet afrimi tek Haudi dhe Profetit, alejhi selam, do t’i pamundësohet kontakti me ta. Profeti, alejhi selam, thotë: “Unë do t’ju paraprijë tek Haudi. Kush vjen, pi, e kush pi nuk ndien etje më kurrë. Do të më vijnë tek Haudi ca njerëz, që i njoh e më njohin, por më pas pamundësohet kontakti me ta (afrimi i tyre tek Haudi)…them: O Zot, ata janë shokët e mi. Një melek më përgjigjet: Ti nuk e di se çfarë kanë bërë – shpikur pas teje” .

    Me një transmetim tjetër: “Unë do t’ju paraprijë atyre në Haud. Vëni re! Disa njerëz do të largohen nga Haudi im ashtu siç largohet deveja e humbur. I thërras: Ej, ejani! Por (më) thuhet: Ata ndërruan pas teje. Atëherë unë do të them: Larg (meje)! Larg (meje)!”

    Shpëtimi prej kësaj dite:

    Shpëtimi prej mundimeve të asaj dite fitohet me mëshirën e Allahut e pastaj me vepra të mira. Njeriu i cili neglizhoi urdhrat e Allahut në dynja pa dyshim se do të pendohet atë ditë, nuk do t’i bëjë dobi arsyetimi, e as falja e pendimi, dhe Xheneti ose Xhehenemi do të jenë vendbanimi i përhershëm i tij.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: O njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut (Dita e Gjykimit) është i vërtetë, prandaj të mos ju mashtrojë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun. (Fatir: 5)

     O robër të Allahut, kush është i falimentuari në Ditën e Kiametit?

    I falimentuar atë ditë do te jetë ai i cili vjen me namaz, me agjërim, me zekat, mirëpo filanin e ka ofenduar, filanin e ka sharë, filanit pasurinë ia ka ngrënë padrejtësisht, filanit gjakun ia ka derdhur, i merret prej veprave të mira të tij dhe i jepen atyre që i ka bë padrejtësi. Në rast se i harxhohen veprat e mira para se të përfundojë gjykimi i tij, i merren mëkatet e atyre që i ka bërë padrejtësi dhe i shtohen në llogari të tij, e pastaj hedhet në zjarr të Xhehenemit.

    Salih el Mërij, Allahu e mëshiroftë, thotë: Një ditë në mesditë i vizitova varrezat. I shikoja varret që i përngjanin një popullit memec, që hesht, dhe thash: I lartësuar qoftë Allahu i cili do t’ju ringjall pas një sprove të gjatë. Papritmas dëgjova një zë i cili vinte prej një prej gropave të varrezave dhe më tha: O Salih: Dhe një prej shenjave të Tij është që qiejt dhe Toka qëndrojnë sipas urdhrit të Tij, pastaj kur t’ju thërrasë Ai, me një të thirrur, ju përnjëherë do të dilni nga toka (të ringjallur). (Er-Rum: 25) Salihu tha: Kur i dëgjova këto fjalë më ra të fikët.

    Hasan el Basrij, Allahu e mëshiroftë, thotë: Janë dy ditë dhe dy net të cilave nuk u përngjan asnjë ditë dhe natë tjetër dhe të gjitha krijesat nuk do të dëgjojnë asnjëherë si ato. Ajo është nata kur do të flesh me banorët e varrezave, ndërsa më herët nuk ke fjetur në një vend sikurse ajo dhe nata kur në mëngjesin e saj do të ndodh në Dita e Kiametit. Kurse ditët që nuk krahasohen me tjera janë, dita kur të vjen përgëzuesi prej anës së Allahut dhe të përgëzon ose me Xhenet ose me Xhehenem dhe dita kur do ta marrësh libri tënd, me të djathtën ose me të majtën tënde.

    Prandaj, përgatituni, o ju robërit e Allahut, për atë që ju pret para jush dhe veproni për këtë ditë të gjatë. E lus Allahun të na bëjë prej banorëve të Xhenetit dhe të na falë mëkatet e tona, të prindërve tanë dhe të gjithë muslimanëve.

    Dr. Abdulmelik El Kasim  

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU