Category: Artikuj

  • DITA E XHUMA – RREGULLA DHE DOBI

    DITA E XHUMA – RREGULLA DHE DOBI

    1. Allahu i dalloi krijesat ndërmjet tyre në vlerë dhe i ngriti disa në shkallë të larta karshi disa të tjerave: “Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh lirisht…” (El-Kasas: 67)

    Disa ditë dhe muaj i favorizoi karshi disa të tjerëve, dita e xhuma është dita më e mirë e javës, dita e Kurbanit Bajramit është dita më e mirë e vitit, ndërsa nga netët, nata e Kadrit është nata më e mirë në mesin e tyre.

    1. Dita e xhuma në gjuhën arabe është quajtur me emrin “el-xhumua” shkaku se buron nga fjala arabe “el-xhem’u”[1], që do të thotë tubim ose grumbullim i myslimanëve një herë në çdo javë. Po ashtu thuhet se është quajtur me këtë emër, ngase Allahu në këtë ditë e ka përfunduar krijimin e çdo gjëje dhe në këtë ditë janë grumbulluar krijesat.[2]
    2. Allahu për myslimanët e zgjodhi ditën e xhuma, për në këtë ditë i udhëzoi dhe me këtë ditë i veçoi.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Popujt që ishin para nesh Allahu i shmangu nga dita e xhumasë. Çifutëve ua dha ditën e shtunë, të krishterëve ua dha ditën e diel, pastaj na udhëzoi neve për në ditën e xhuma. Kështu që dita e xhuma vjen para së shtunës dhe së dielës. Ato njëjtë edhe në ditën e Kiametit do të jenë mbrapa nesh. Ne jemi të fundit nga banorët (umetet) e dynjasë, mirëpo të parët në ditën e Kiametit, që do të merremi në llogari.”[3]

    Në një transmetim tjetër: “Ne jemi të fundit (nga umetet) dhe të parët (që do të merremi në llogari) në ditën e Kiametit edhe pse atyre para nesh u janë dhënë Librat hyjnorë. Kjo është dita (dita e xhuma) që janë detyruar t’i zbatojnë ritet e fesë së tyre, por ata ranë në kundërshtim dhe u përçanë në lidhje me të, kurse neve Allahu na udhëzoi për në këtë ditë (ditën e xhuma). Të gjithë njerëzit janë mbrapa nesh, (dita e shenjtë) te çifutët është të nesërmen (të shtunën) dhe te të krishterët është pasnesër (të dielën).”[4]

    1. Dita e xhuma për myslimanët është festë javore. Ajo është zonja e ditëve dhe dita më e mirë tek Allahu si dhe dita më e mirë në të cilën lind dielli, ashtu siç lajmëroi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe tha: “Dita më e mirë në të cilën lind dielli është dita e xhuma. Në këtë ditë u krijua Ademi, në këtë ditë u fut në Xhenet, në këtë ditë doli nga Xheneti dhe nuk ka për të ndodhur Kiameti, përveçse në ditën e xhuma.”[5]
    2. Dita e xhuma është ‘dëshmitari’ në të cilin u betua Allahu në suren El-Buruxh dhe thotë: “Për dëshmitarin dhe për atë që dëshmohet.” (El-Buruxh: 3). Kur Allahu betohet në diçka nënkupton që ajo është madhështore.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dita e premtimit është dita e Kiametit, dita që për atë dëshmohet është dita e Arafatit dhe dita e dëshmitarit është dita e xhuma.”[6]

    Shumica e komentuesve të Kuranit janë të këtij mendimi se dita e xhuma është dita e dëshmitarit.

    Është quajtur me këtë emër, sepse kjo ditë do të dëshmojë për çdonjërin se çka ka vepruar në këtë ditë, si dhe po ashtu çdo ditë tjetër (dëshmon).[7]

    1. Nga vlerat e ditës së xhuma është se kush vdes ditën apo natën e xhuma, Allahu e mbron nga sprova e varrit, d.m.th. nga ndëshkimi dhe marrja në pyetje. Kjo është shenjë nga shenjat e përfundimit të mirë.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdo mysliman që vdes ditën e xhuma apo natën e xhuma Allahu e mbron nga sprova e varrit.”[8]

    1. Dita e xhuma është ditë feste për myslimanët, nuk parapëlqehet të veçohet me agjërim, shkaku se myslimani gjatë kësaj dite ka nevojë për energji e cila e ndihmon dhe e përkrah për adhurim. Veçohet myslimani, i cili agjëron dhe agjërimi i tij qëllon në këtë ditë si shembulli i atij i cili e agjëron një ditë dhe një ditë jo, dhe agjërimi i tij i bie të jetë në ditën e xhuma, ose ai i cili e agjëron ditën e Arafatit apo ditën e Ashurës dhe agjërimi i këtyre ditëve bie në ditën e xhuma.[9]

    Ka ardhur ndalesë që dita e xhuma të veçohet me agjërim, përveç kur asaj dite i shtohet një ditë para apo mbrapa. Xhuvejrije bint El-Harith, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell se një ditë xhumaje ajo mbante agjërim dhe i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, hyri në dhomën e saj dhe i tha: “Dje a mbajte agjërim?” – Iu përgjigj: “Jo.” – Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “E ditën e nesërme a do të agjërosh?” – Iu përgjigj: “Jo.” – “Atëherë mos agjëro as sot.” – i tha Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.[10]

    Në një hadith tjetër: “Askush nga ju të mos e agjërojë ditën e xhuma, përveç nëse agjëron bashkë me të një ditë para apo mbrapa.”[11]

    Me një transmetim tjetër: “Mos e veçoni me namaz nate natën e xhuma nga netët e tjera, dhe mos e veçoni me agjërim ditën e xhuma nga ditët e tjera, përveç nëse ndonjëri nga ju agjëron dhe agjërimi i tij përputhet me këtë ditë.”[12]

    1. Namazi i xhumasë është një nga detyrimet më të mëdha dhe më të vërtetuara të Islamit. Detyrshmëria e tij është nga veprat e domosdoshme që duhet të dihen nga feja islame.

    Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, tha: “Namazi i xhumasë është një nga detyrimet më të vërtetuara të Islamit dhe një nga vendmbledhjet më të mëdha të myslimanëve. Ai është grumbullimi më i madh dhe më i detyruar se çdo takim dhe grumbullim tjetër, në përjashtim të vendmbledhjes dhe takimit në Arafat.”[13]

    Allahu thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!” (El-Xhumua: 9). Allahu në këtë ajet e urdhëroi myslimanin të nxitojë për në faljen e namazit të xhumasë dhe e ndaloi të bëjë tregti pasi të thirret ezani i xhumasë, shkaku që shitblerja të mos e shmang nga namazi i xhumasë.

    1. Namazi i xhumasë është detyrim individual për çdo mashkull mysliman, të rritur, me mendje të shëndoshë, të lirë dhe jo rob, të shëndoshë dhe jo të sëmurë, vendas dhe jo udhëtar, i cili e dëgjon ezanin dhe nuk ka ndonjë arsye të shëndoshë sheriatike, që e arsyeton mosfaljen e tij.
    2. Namazi i xhumasë nuk detyrohet për gruan, të sëmurin, udhëtarin, fëmijën dhe robin.
    3. Nëse për namazin e xhumasë prezanton një i rritur,[14] i cili bën pjesë në grupin e atyre që me sheriat nuk iu detyrohet xhumaja (si p.sh. udhëtari, – sh.p.-), namazi i xhumasë i pranohet dhe ai nuk duhet ta falë namazin e drekës.
    4. Urdhërohet fëmija që ta falë namazin e xhumasë kur t’i ketë shtatë vjet dhe detyrohet me forcë (rrihet) kur t’i ketë dhjetë, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili thotë. “Urdhëroni (mësoni) fëmijët tuaj ta falin namazin kur t’i kenë shtatë, e nëse nuk e falin namazin kur t’i kenë dhjetë, jini më të ashpër me ta (rrihni lehtë), dhe ndajini në shtretër (të veçantë).”[15]
    5. Ai që e dëgjon ezanin e xhumasë dhe është nga ata që i detyrohet falja e namazit të xhumasë, e ka për detyrë t’i përgjigjet thirrjes së ezanit për namaz dhe nuk lejohet të mungojë, përveçse me arsye.

    Arsyet që e lejojnë mosprezencën në namazin e xhumasë janë po të njëjtat arsye që e lejojnë mosprezencën në namazin me xhemat, pra, xhumaja bie shkaku i të njëjtave arsye që bie namazi me xhemat, si: rënia e shiut shumë derisa rrobat të lagen dhe të bëhen qull, i ftohti i ashpër, rruga e baltosur dhe e palëvizshme, frika për veten, pasurinë dhe familjen dhe të tjera. Ai që nuk e fal xhumanë, patjetër e ka ta falë namazin e drekës.[16]

    1. Ai që detyrohet ta falë namazin e xhumasë, nëse e braktis dhe nuk e fal pa ndonjë arsye sheriatike, bën mëkat nga mëkatet e mëdha. Ka ardhur paralajmërim i ashpër dhe kërcënues për zemrën e tij, si: shkujdesja dhe vulosja e zemrës së tij, Allahu na ruajttë.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nëse njerëzit nuk e ndërpresin mosfaljen e namazit të xhumasë, Allahu do t’ua vulosë zemrat e tyre ose do t’i bëjë nga të shkujdesurit.”[17]

    Në një hadith tjetër: “Kush nuk i fal tri xhumaja pa ndonjë arsye sheriatike, Allahu ia vulos zemrën e tij.”[18]

    Imami Ibën Abdulber, Allahu e mëshiroftë, tha: “Vulosja e zemrave nënkupton stampimin e tyre, ky është kërcënim i rëndë, sepse atij që i vuloset dhe i stampohet zemra, më nuk e dallon të mirën dhe nuk e mohon të keqen.”[19]

    Dhe tha: “Dijetarët janë unikë se kush nuk i fal tri xhumaja pa arsye sheriatike, është mëkatar dhe dëshmia e tij nuk pranohet.”[20]

    1. Atij që i detyrohet falja e xhumasë, nuk i lejohet të udhëtojë pasi të thirret ezani i xhumasë, përveç në raste domosdoshmërie, sepse xhumaja për të tashmë është obliguar, si dhe nuk i lejohet atij të angazhohet me diçka që e pengon dhe e largon nga namazi i xhumasë, dëfrimi apo tregtia. Allahu na urdhëroi të nxitojmë për faljen e xhumasë dhe thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (ta falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!” (El-Xhumua: 9)

    Këtu veçohet ai që dëshiron të udhëtojë dhe ka frikë se po i ikën përcjellja (shokët). Kjo është arsye që e rrëzon obligimin e faljes së xhumasë dhe namazit me xhemat.

    Njëjtë është rasti me atë që ka frikë se aeroplani do të fluturojë dhe udhëtimi do t’i ikën, ose koha e udhëtimit të anijes ka ardhur dhe të ngjashme me to.

    Po ashtu në këtë rast veçohet edhe ai që mund të arrijë ta falë xhumanë në ndonjë xhami gjatë rrugës së tij.

    Ai që udhëton para se të hyjë koha e xhumasë (d.m.th. paradite) për të nuk ka pengesë, por nëse e vonon udhëtimin pas xhumaje kjo për të do të ishte më e mirë, që të mos i ikën mirësia e madhe e xhumasë.

    1. Atij që i ikën namazi i xhumasë, patjetër duhet ta falë namazin e drekës. Nëse ka pasur arsye për mosfaljen e xhumasë, atëherë nuk ka mëkat, a nëse nuk ka pasur arsye, atëherë ka bërë mëkat nga mëkatet e mëdha.
    2. Përkujdesja për pesë kohët e namazit dhe për namazin e xhumasë është me vlerë të madhe dhe është shkak për faljen e mëkateve. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër, janë shlyese të mëkateve të bëra në mes tyre, për ata që nuk kanë bërë mëkate të mëdha.”[21]

    Hadithi nënkupton se këto vepra i shlyejnë të gjitha mëkatet, përveç atyre të mëdhave, ndërsa mëkatet e mëdha shlyhen me pendim apo me mëshirën e Allahut.

    Çdonjëra nga këto tri adhurime i shlyejnë mëkatet. Kur gjejnë mëkate të vogla i shlyejnë ato, e kur nuk gjejnë mëkate të vogla dhe as të mëdha, robit i shkruhen të mira dhe i rriten shkallët, e kur gjejnë ndonjë mëkat të madh apo mëkate të mëdha, shpresohet që ato t’i pakësojnë. Mirësia e Allahut me të vërtete është e madhe.[22]

    1. Dita e xhuma është dita ku njerëzit grumbullohen dhe rikujtohen për dynjanë dhe ahiretin e tyre.

    Urtësia nga ligjërimi i namazit të xhumasë qëndron në faktin se Allahu “për çdo umet e bëri të ligjshme një ditë në javë, që në të t’i kushtohen adhurimit dhe të grumbullohen për t’ua rikujtuar dynjanë dhe ahiretin, shpërblimin dhe ndëshkimin, dhe me këtë grumbullim ta rikujtojnë grumbullimin në ditën e Kiametit, kur do të qëndrojnë para Allahut. Dita që e meritoi këtë grumbullim dhe rikujtim të tyre u bë dita e xhuma, e njëjta ditë që në të Allahu do t’i grumbullojë krijesat e Tij në ditën e Kiametit. Allahu ia rezervoi këtë ditë umetit tonë shkaku i vlerës dhe prestigjit që e ka ky umet, në dynja grumbullimin e tyre e bëri të ligjshëm në këtë ditë për t’iu nënshtruar Atij dhe në ahiret e përcaktoi grumbullimin e tyre së bashku me umetet e tjera në këtë ditë që ta fitojë dinjitetin dhe prestigjin kundrejt umeteve të tjera. Pra, kjo është dita e ligjëruar për t’u grumbulluar në dynja dhe dita e përcaktuar për t’u grumbulluar në ahiret.”[23]

    1. Nga udhëzimi i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka qenë madhështimi dhe të nderuarit e ditës së xhuma, të dalluarit e saj me adhurime të veçanta për këtë ditë[24], si leximi i sures Es-Sexhde dhe El-Insan në namazin farz të sabahut, pastrimi për xhuma, veshja e rrobave më të mira, parfumosja, shkuarja herët në xhami, angazhimi me adhurime vullnetare, si: me namaz, dhikër dhe lexim të Kuranit derisa të vijë imami, pastaj leximi i sures El-Kehf natën dhe ditën e xhuma, kërkimi i orës ku në të pranohet lutja dhe nuk ka mysliman që e lut Allahun në këtë kohë, vetëm se Allahu ia jep atë që e kërkon, pastaj dërgimi i salavateve për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, natën dhe ditën e xhuma, si dhe adhurime dhe rregulla të tjera të pëlqyera që është mirë për myslimanin të përkujdeset që t’i veprojë ato.
    2. Pëlqehet natën apo ditën e xhuma të lexohet surja El-Kehf. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush e lexon suren El-Kehf në ditën e xhuma, e ndriçon një dritë prej asaj xhumaje e deri në xhumanë tjetër.”[25]

    Me një transmetim tjetër: “Kush e lexon suren El-Kehf në ditën e xhuma, e ndriçon një dritë mes tij dhe shtëpisë së lashtë (Qabesë).”[26]

    Me një transmetim: “Kush e lexon suren El-Kehf natën e xhuma…”[27]

    1. Natën dhe ditën e xhuma pëlqehen salavatet e shpeshta për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dita më e mirë në mesin e ditëve tuaja është dita e xhuma. Në këtë ditë u krijua Ademi, në këtë ditë ndërroi jetë, në këtë ditë i fryhet surit dhe njerëzit ngrihen nga varret. Shtoni gjatë ditës së xhuma salavatet për mua, sepse ato do të paraqiten para meje.”[28]

    Me një transmetim tjetër: “Shtoni salavatet për mua natën dhe ditën e xhuma. Kush bën një herë salavate për mua, Allahu ia kthen me dhjetë.”[29]

    Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, tha: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, është krijesa më e mirë dhe dita e xhuma është dita më e mirë. Salavatet për të në ditën e xhuma e kanë një veçori që nuk e kanë në ditët e tjera, përfshirë këtu edhe urtësi të tjera, ndër to: çdo mirësi që e ka arritur umeti i tij në dynja dhe ahiret, e ka arritur nëpërmjet Profetit të tyre, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Allahu nëpërmjet Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, umetit të tij ia bashkoi mirësitë e dynjasë dhe ahiretit. Dinjiteti dhe prestigji më i madh që u arrin atyre është në ditën e xhuma. Në këtë ditë është ringjallja e tyre për në shtëpitë dhe pallatet e tyre në Xhenet, në këtë ditë është ‘dita e tepricës’[30] pasi të hyjnë në Xhenet. Kjo ditë për ta është ditë feste në dynja, në këtë ditë Allahu u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të tyre dhe nuk e kthen lutjen e atij që i lutet. Të gjithë këtë mirësi umeti i tij e mësuan dhe e arritën për shkak të të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, prandaj edhe nga falënderimi, respekti dhe nga dhënia sadopak e hakut që e kemi ndaj tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, është që t’i shtojmë salavatet gjatë natës dhe ditës së xhuma.”

    1. Larja e trupit për namazin e xhumasë është tepër e pëlqyer dhe ky mendim është i shumicës së dijetarëve, ndër ta edhe katër imamët (Ebu Hanifes, Malikut, Shafiut dhe Hanbeliut). Një grup dijetarësh anojnë kah mendimi se larja e trupit për namazin e xhumasë është detyrim, ndër ta dijetarët e medh’hebit Dhahirij si dhe është thënie e imam Ahmedit dhe disa dijetarëve të tjerë. Ata argumentohen me hadithin: “Guslli (larja e trupit) i ditës së xhuma është detyrim për çdonjërin që ka hyrë në moshën madhore.”[31]

    Dijetarët e shumicës thonë që hadithi nënkupton se guslli është sunet i vërtetuar për atë që ka hyrë në moshën madhore, dhe për këtë argument është hadithi: “Kush merr abdes në ditën e xhuma ka vepruar mirë dhe sipas sunetit, kurse marrja e gusllit është më e mirë.”[32]; dhe po ashtu argumentohen edhe me argumente të tjera.

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, për më të saktë e zgjodhi mesataren e dy thënieve, dhe ajo është se detyrohet guslli në ditën e xhuma për atë që ka djersë ose i vjen era e keqe dhe kështu dëmtohen të tjerët prej tij.[33] Kjo thënie është e fortë në argumentim.

    1. Koha e gusllit të xhumasë fillon prej pas lindjes së agimit dhe kush pastrohet para kësaj kohe nuk ia ka qëlluar sunetit.

    Ajo më e mira është që guslli të vonohet deri para se të dalë për në xhuma, kështu që shkuarja për në xhuma të jetë menjëherë pas larjes së trupit. [34]

    1. Nëse bashkohen guslli i xhumasë dhe guslli i xhunubllëkut, mjafton të merret një gusëll nëse nijeti bëhet i përbashkët.

    Nëse myslimani e bën nijet që me pastrimin e trupit ta largojë vetëm xhunubllëkun dhe pastrimi bëhet pas lindjes së agimit, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve ky gusëll është i vlefshëm edhe si gusëll i xhumasë, sepse ai e ka larë trupin e tij, dhe sipas kuptimit gjeneral të hadithit ajo që synohet është pastrimi i trupit dhe në këtë rast është arritur ky synim me këtë gusëll.

    Mirëpo nëse e bën nijet vetëm gusllin e xhumasë, nijeti i tij nuk është i vlefshëm edhe për gusllin e xhunubllëkut, kjo ngase guslli i xhumasë nuk merret për shkak të papastërtisë, ndërsa guslli i xhunubllëkut detyrohet për shkak të papastërtisë, prandaj patjetër duhet që nijeti të jetë prezent për ta larguar këtë papastërti.[35]

    1. Guslli i xhumasë pëlqehet në veçanti për ata që prezantojnë për namazin e xhumasë, burra apo gra, edhe nëse janë nga ata që nuk iu obligohet falja e xhumasë, sepse guslli merret shkaku i namazit e jo shkaku i ditës dhe qëllimi i marrjes së gusllit është të pastrohet trupi dhe të largohet era e keqe, që të mos dëmtohen të tjerët.

    Ata që nuk shkojnë për ta falur namazin e xhumasë, si: gratë, fëmijët, udhëtari dhe i sëmuri, s’ka nevojë për gusëll.

    Nëse shkon për xhuma ndonjëri nga ata që nuk i obligohet ta falë namazin e xhumasë, guslli në këtë rast pëlqehet për të. Në këtë aludon ajo që kuptohet nga kuptimi i përgjithshëm i hadithit.

    1. Nga rregullat dhe gjërat që pëlqehen të veprohen në ditën e xhuma janë: parfumosja, larja e trupit, zbukurimi dhe pamja e mirë, rregullimi i flokëve, veshja e rrobave më të mira që i posedon njeriu dhe përdorimi i misvakut.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Një njeri që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet[36], i lyen flokët me vaj[37] ose parfumohet nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy vetave (që janë ulur), falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t’i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër.”[38]

    Me një transmetim tjetër: “Kush pastrohet ditën e xhuma dhe rregullohet sa më mirë që është e mundshme, parfumoset nga parfumet e shtëpisë së tij, pastaj shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje në mes njerëzve (që janë ulur) duke kaluar në mes tyre, falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu, pastaj hesht kur del imami në minber derisa ta falë namazin, për të do të jetë shlyerje e mëkateve të xhumasë që është prezent dhe xhumasë së kaluar”; me transmetim shtoi: “edhe për tri ditë të tjera shtesë.”[39]

    Me një transmetim tjetër: “Guslli (larja e trupit) i ditës së xhuma është detyrim për çdonjërin që ka hyrë në moshën madhore, si dhe përdorimi i misvakut dhe parfumosja për atë që gjen parfum në shtëpinë e tij.”[40]

    1. Nga sunetet e braktisura të ditës së xhuma është shkuarja herët në xhami dhe shpërblimi për këtë është i madh. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush lahet ditën e xhuma sikurse lahet kur pastrohet nga xhunubllëku, pastaj shkon në xhami, në orën e parë (herët) sikurse të ketë bërë për kurban një deve, kush shkon në orën e dytë sikurse të ketë bërë për kurban një lopë, kush shkon në orën e tretë, sikurse të ketë bërë për kurban një dash me brirë, kush shkon në orën e katërt, sikurse të ketë bërë për kurban një pulë, kush shkon në orën e pestë, sikurse të ketë bërë për kurban një vezë. Kur vjen imami dhe hip në minber melaqet ulen ta dëgjojnë fjalimin e tij.”[41]

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kur vjen dita e xhuma, te çdo derë e xhamisë qëndrojnë melaqe që i regjistrojnë ata që vijnë njërin pas tjetrit dhe kur imami ngjitet në shkallët e minberit, melaqet i mbyllin fletushkat dhe ulen ta dëgjojnë fjalimin e imamit.”[42]

    1. Pesë orët e xhumasë (të cekura në hadith) fillojnë pas lindjes së diellit e deri në arritjen e imamit për namaz dhe nuk është kusht që ato orë të jenë sipas kohëve të orës që njihen te njerëzit (60 minuta – sh.p.-).

    Për ta ditur saktësisht kohën e saj, kohën e ndan në pesë pjesë prej lindjes së diellit e deri në ezanin e dytë të xhumasë, kështu që çdo pjesë nga këto pesë pjesë është për qëllim me fjalën ‘orë’ të cekur në hadith[43].[44]

    1. Kanë ardhur argumente për vlerën e shkuarjes herët në xhuma se ka shpërblim të madh që nuk duhet të braktiset dhe lihet. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush lahet mirë në ditën e xhuma, pastaj niset herët për të shkuar në xhami, ecën duke mos hipur në ndonjë mjet, i afrohet imamit dhe e dëgjon me vëmendje pa folur, për çdo hap të bërë për në xhami e merr shpërblimin sikur të ketë agjëruar dhe të jetë falur natën për një vit.”[45]

    Ky shpërblim është i madh. Për çdo hap e fiton shpërblimin e një viti agjërim dhe namaz nate, edhe atë me bërjen e një vepre të lehtë, si: shkuarja herët në xhuma, afrimi afër imamit dhe dëgjimi i hutbes me vëmendje pa folur.

    Prandaj disa dijetarë thanë: “Nuk kemi dëgjuar në sheriat ndonjë hadith të saktë që të përfshijë një shpërblim të ngjashëm me këtë të përmendur në hadith.”[46]

    1. Nisja herët për në xhuma është dobiprurëse dhe nëpërmjet saj realizohen shumë dobi, ndër to: zbatimi i sunetit, mundësia për t’u ulur në rreshtin e parë, prezenca afër imamit, mundësia për të bërë adhurime vullnetare para namazit të xhumasë, leximi i Kuranit e në veçanti leximi i sures Kehf, angazhimi me dhikër dhe me dërgimin e salavateve për të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.
    2. Ai që niset për në xhuma pëlqehet të ecën dhe jo të hipën në ndonjë mjet transporti, përveç nëse ka arsye, sëmundje dhe të ngjashme me të, dhe të pastrohet mirë e të niset herët dhe t’i afrohet imamit e të mos flasë, sepse për çdo hap që e bën do ta fitojë shpërblimin e një viti agjërim dhe namaz nate, duke u bazuar në hadithin e mëhershëm ku Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush lahet mirë në ditën e xhuma, pastaj niset herët për të shkuar në xhami, ecën duke mos hipur në ndonjë mjet, i afrohet imamit dhe e dëgjon me vëmendje pa folur, për çdo hap të bërë për në xhami e merr shpërblimin sikur të ketë agjëruar dhe të jetë falur natën për një vit.”[47]
    3. Ecja rrugës për në xhuma duhet të jetë me qetësi dhe me modesti, besimtari rrugës nuk duhet t’i gërshetojë gishtat e tij, sepse ai (llogaritet se) është në namaz. Gjatë ecjes është mirë që t’i ngushtojë hapat dhe t’i shtohen të mirat e tij, si dhe të shtojë në të përmendurit e Allahut dhe ta ulë shikimin e tij.[48]

    Rrugës për në xhami pëlqehet ta thotë duanë e shkuarjes për në xhami: “O Allah ndriçoje zemrën time, ndriçoje gjuhën time, ndriçoje dëgjimin tim, ndriçoje shikimin tim, ndriçoje prapa meje, ndriçoje para meje, ndriçoje mbi mua, ndriçoje nën mua. O Allah më ndriço mua.”[49]

    1. Nxitimi për në namazin e xhumasë i ka dy kohë: kohën e detyrimit dhe kohën e vlerës.

    Koha e detyrimit është koha kur thirret ezani i xhumasë pasi imami ngjitet në shkallët e minberit. Këtu besimtari duhet të nxitojë dhe ta braktisë tregtinë, ashtu siç Allahu thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!” (El-Xhumua: 9)

    Ndërsa koha e vlerës është prej kur lind dielli, sa më herët që shkon për në xhuma është më mirë dhe ka më shumë vlerë.[50]

    1. Të gjithë dijetarët janë të pajtimit se për besimtarin pëlqehet kur të shkojë në xhuma të jetë sa më afër imamit që ta arrijë mirësinë e rreshtit të parë, të heshtë dhe ta dëgjojë me vëmendje hutben.[51] Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush lahet mirë në ditën e xhuma, pastaj niset herët për të shkuar në xhami, ecën duke mos hipur në ndonjë mjet, i afrohet imamit dhe e dëgjon me vëmendje pa folur, për çdo hap të bërë për në xhami e merr shpërblimin sikur të ketë agjëruar dhe të jetë falur natën për një vit.”[52]

    Këtë mirësi nuk e arrin, përveç atij që i afrohet imamit dhe e dëgjon me vëmendje, pra, patjetër duhet të jenë bashkë këto të dyja. Nëse dëgjon me vëmendje mirëpo është larg imamit, ose është afër imamit mirëpo nuk dëgjon me vëmendje, nuk e arrin këtë shpërblim.[53]

    1. Ai që shkon për xhuma pëlqehet të falë namaz vullnetar të përgjithshëm sa të dojë, derisa të vijë imami dhe të fillojë me hutben.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Një njeri që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet, i lyen flokët me vaj ose parfumoset nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy vetave (që janë ulur), falet sa të mundet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t’i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër.”[54]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Ai i cili e pastron trupin ditën e xhuma, pastaj niset për ta falur namazin, i fal ato që është i detyruar t’i falë, e dëgjon hutben me vëmendje derisa të kryhet, pastaj falet me imamin, Allahu ia fal mëkatet nga kjo xhuma deri në xhumanë tjetër dhe për tri ditë të tjera shtesë.”[55]

    1. Ai që prezanton në xhuma pëlqehet që të angazhohet me dhikër, lexim të Kurani, me dërgimin e salavateve për të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe me përpjekje në adhurim, derisa të vijë imami.
    2. Pas namazit të xhumasë pëlqehet të falen dy apo katër rekate vullnetare, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kush e fal xhumanë, pas saj le t’i falë katër rekate.”[56]

    Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, pas faljes së xhumasë nuk falte namaz derisa kthehej në shtëpi dhe i falte dy rekate.”[57]

    Me një transmetim tjetër: “Pasi Abdullah ibën Omeri, e fali xhumanë u kthye në shtëpi dhe i fali dy rekate, dhe më pas tha: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, vepronte kështu.”[58]

    Disa dijetarë mendojnë që besimtari është i lirë të zgjedhë në mes dy dhe katër rekateve për t’i falur pas xhumasë.

    Disa dijetarë të tjerë i bashkuan të dy hadithet dhe thanë: “Nëse i fal në xhami atëherë i fal katër, e nëse i fal në shtëpi i fal dy”; kjo është zgjedhje e Ibën Tejmijes dhe nxënësit të tij Ibën El-Kajim, Allahu i mëshiroftë.[59]

    1. Në ditën e xhuma pëlqehet përpjekja në lutje, shpeshtimi i saj dhe të kërkuarit nga Allahu mirësitë e dynjasë dhe ahiretit, në kohën kur pranohen lutjet, duke shpresuar që ta takojë këtë kohë.

    Koha kur pranohen lutjet është veçori e ditës së xhuma. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e përmendi ditën e xhuma dhe tha: “Në këtë ditë gjendet një orë, nëse e takon një rob mysliman duke u falur (lutur) dhe kërkon prej Allahut diç, Allahu ia jep atë”, dhe pastaj bëri një shenjë me dorën e tij për të treguar se kjo orë është e shkurtër.[60]

    Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për këtë kohë dhe ato që shpresohet të jenë sa më afër së vërtetës janë dy:[61]

    Mendimi i parë: Koha e pranimit është në orën e fundit pas namazit të ikindisë, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kërkojeni atë në orën e fundit pas namazit të ikindisë.”[62]

    Mendimi dytë: Koha e pranimit fillon prej momentit kur ulet imami në hutbe dhe vazhdon deri kur mbaron namazi, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kërkojeni atë prej kur të ulet imami e deri kur mbaron namazi.”[63]

    1. Allahu e fshehu kohën e pranimit të lutjes në ditën e xhuma, ashtu siç e fshehu natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, me qëllim që myslimanët të lakmojnë dhe të përpiqen në kërkimin e saj dhe të garojnë në mes tyre për në vepra të mira.

    Kjo është e njëjtë sikurse e fshehu “emrin e Tij të madh tek emrat, e fshehu kënaqësinë e Tij në adhurime që të lakmojnë dhe të shkojnë pas të gjitha të tjerave, e fshehu zemërimin e Tij në mëkate që të largohen nga të gjitha të tjerat dhe e fshehu ndodhinë e Kiametit që të përpiqen në adhurime dhe të jenë të kujdesshëm nga ndodhia e tij.”[64]

    1. Në ditën e xhuma pëlqehet që t’i kushtohet kohë adhurimit dhe të lihen anash angazhimet e dynjasë që të përfitohet hairi dhe bereqeti që janë në të, sepse kjo ditë “është ditë adhurimi, pozita e saj në mesin e ditëve është si Ramazani në mesin e muajve dhe koha e pranimit të lutjeve në të është si nata e Kadrit në Ramazan.

    Prandaj kush e bën një ditë xhumaje të shëndoshë (me adhurimet specifike) dhe pa mëkate (shpëton nga mëkatet e mëdha), atëherë do të ketë një javë të shëndoshë, kush bën një ramazan të shëndoshë (me adhurimet specifike) dhe pa mëkate të mëdha (shpëton nga mëkatet e mëdha), atëherë do të ketë një vit të shëndoshë, kush bën haxh të shëndoshë (me adhurimet specifike) dhe pa mëkate të mëdha (shpëton nga mëkatet e mëdha), atëherë do të ketë një jetë të shëndoshë.

    Pra, dita e xhuma është peshorja e javës, Ramazani është peshorja e vitit dhe haxhi është peshorja e jetës.”[65]

     

    E lusim Allahun që të na japë sukses dhe mbarësi për atë që Ai e do dhe Atë e kënaq, dhe të na bëjë nga ata që ua pranon veprat dhe të na përfshijë në faljen dhe mëshirën e Tij.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Libri “Sezonet e adhurimit” ( i përkthyer në gjuhën shqipe)

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

    [1] Tubim, mbledhje, grumbullim apo bashkim (sh.p.)

    [2] Shih: Tefsir Kurtubij (18/97), Ibën Kethir (8/119), Lisanul Arab (8/58).

    [3] Muslimi (856).

    [4] Buhariu (876), Muslimi (855).

    [5] Muslimi (854).

    [6] Tirmidhiu (3339), dhe hadithin e vlerësoi të dobët, ndërsa shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

    [7] Shih: Et-Tefsir El-Basit, El-Vahidij (23/380), Tefsir El-Bagavij (8/378), Ibën Kethir (8/365).

    [8] Tirmidhiu (1074), shejh Albani e ka vlerësuar të mirë.

    [9] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (4/426), El-Mexhmua, Imam Neveviu (6/437) dhe komenti i tij i Sahihul Muslim (8/19), Fetava Ibën Uthejmin (20/51).

    [10] Buhariu (1986).

    [11] Buhariu (1985), Muslimi (1144).

    [12] Muslimi (1144).

    [13] Zadul Mead, Ibën El-Kajim (1/364).

    [14] I cili ka arritur moshën që duhet t’i zbatojë urdhrat fetarë (sh.p.)

    [15] Ebu Davud (495), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [16] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (2/376, 3/218), El-Mexhmua, Imam Neveviu (4/203,489), El-Insaf, Imam El-Mavardij (2/300).

    [17] Muslimi (865).

    [18] Ebu Davud (1052), Tirmidhiu (500), Nesaiu (1369), Ibën Maxhe (1125), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [19] El-Istidhkar (2/55).

    [20] El-Istidhkar (2/56).

    [21] Muslimi (233).

    [22] Shih: Sherh Nevevij ala Muslim (3/113), El-Mexhmua (7/382).

    [23] Zadul Mead, Ibën El-Kajim (1/407).

    [24] Zadul Mead, Ibën El-Kajim (1/363).

    [25] Shënon Hakimi (2/399), hadithi gjendet edhe në Sahih El-Xhami’ (6470).

    [26] Imam Bejhakiu në Shuabul Iman (2220, 2777), hadithi gjendet edhe në Sahih El-Xhami’ (6471), ndërsa imam Nesaiu, Bejhakiu dhe Ibën El-Kajimi si më të saktë e vlerësojnë se hadithi është meukuf (zinxhiri përfundon tek sahabiu, – sh.p.-) dhe zinxhiri i tij përfundon tek Ebu Seid El-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

    [27] Imam Darimiu (3450), si hadith meukuf dhe zinxhiri i përfundon tek Ebu Seid El-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

    [28] Ebu Davudi (1047), Nesaiu (1374), Ibën Maxhe (1085), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [29] Bejhakiu në El-Kubra (3/353), shejh Albani e vlerësoi të mire hadithin në Es-Sahiha (1407).

    [30] Dita e tepricës është dita kur i shfaqet Allahu besimtarëve në Xhenet. Allahu thotë: “Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë.” (Kaf: 35) Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “I paraqitet Allahu besimtarëve në Xhenet çdo xhuma.”(sh.p.)

    [31] Buhariu (858), Muslimi (846).

    [32] Ebu Davud (354), Tirmidhiu (497), Nesaiu (1380), shejh Albani e vlerësoi të mirë.

    [33] Shih: El-Ihtijarat El-Fik’hije (fq. 17), El-Insaf, Imam El-Merdavij (1/247).

    [34] Shih: El-Mugni (3/227), El-Mexhmua (4/534), Fetava Ibën Uthejmin (16/142).

    [35] Shih: El-Mugni (3/228), Fetava Ibën Baz (12/406), Fetava Ibën Uthejmin (14/302, 16/137).

    [36] Për qëllim është pastrim sa të mundet i trupit dhe largim i papastërtisë, dhe këtu përfshihet edhe prerja e thonjve dhe largimi i qimeve në vendet e turpshme dhe nënsqetulla, të gjitha këto janë nga pastrimi. (sh.a.)

    [37] I lyen me vaj qimet e flokëve apo të mjekrës duke i krerë ato. (sh.a.)

    [38] Buhariu (883).

    [39] Ebu Davudi (343), shejh Albani e vlerësoi të mire.

    [40] Buhariu (880), Muslimi (846).

    [41] Buhariu (881), Muslimi (850).

    [42] Buhariu (3211), Muslimi (850).

    [43] Si shembulli: lindja e diellit është në ora 6 të mëngjesit dhe ezani i xhumasë thirret në ora 13 në mesditë, kështu që në mes tyre ka 7 orë. Këto 7 orë i ndan në pesë pjesë dhe i bie që çdo pjesë të jetë 1 orë e 40 minuta (7:5=1.4). Pastaj e llogarit prej te lindja e diellit që është në ora 6 dhe e shumon me 1 orë e 40 minuta dhe del që koha e parë të jetë prej ora 6 e deri në ora 7.40. Koha e dytë fillon në ora 7.40 dhe përfundon në 9.20, dhe kështu me radhë. (sh.p.)

    [44] Shih: El-Istidhkar, Ibën Abdulbir (2/6), Fet’hul Barij, Ibën Rexheb (8/100), Fetava Ibën Uthejmin (16/140).

    [45] Ebu Davud (345), Tirmidhiu (496), Nesaiu (1381), Ibën Maxhe (1087), hadithi është në Sahih Et-Tergib (690).

    [46] E përcjell El-Mul’la Alij El-Karij nga disa imam, shih: Mirkatul Mefatih (3/1035).

    [47] Ebu Davud (345), Tirmidhiu (496), Nesaiu (1381), Ibën Maxhe (1087), Sahih Et-Tergib (690).

    [48] Shih: El-Mugni (3/167).

    [49] Buhariu (6316), Muslimi (763).

    [50] Shih: El-Mugni (3/164).

    [51] Shih: El-Mexhmua, Imam Neveviu (4/546).

    [52] Ebu Davud (345), Tirmidhiu (496), Nesaiu (1381), Ibën Maxhe (1087), Sahih Et-Tergib (690).

    [53] Shih: Hashijetu Es-Sindij ala sunen Ibën Maxhe (1/338).

    [54] Buhariu (883).

    [55] Muslimi (857).

    [56] Muslimi (881).

    [57] Buhariu (937), Muslimi (882) dhe shtojca e shënuar është e tij.

    [58] Muslimi (882).

    [59] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (3/248), Zadul Mead (1/425).

    [60] Buhariu (935), Muslimi (852).

    [61] Zadul Mead (1/377, 382), Fet’hul Barij, Ibën Haxheri (2/416, 421).

    [62] Ebu Davudi, (1048), shejh Albani e saktësoi.

    [63] Muslimi (853).

    [64] Tefsir El-Bagavij (8/490).

    [65] Zadul Mead (1/386).

  • GRATË E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT,  LAVDIA DHE PAQJA E ALLAHUT QOFSHIN MBI TË

    GRATË E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT, LAVDIA DHE PAQJA E ALLAHUT QOFSHIN MBI TË

    Me ecjen pas gjurmëve të grave më të mira që jetuan në kohën më të mirë, në periudhën më të mirë, u edukuan në shtëpinë më të mirë, shtëpinë e profetësisë, gruaja muslimane është gruaja më e lumtur në mesin e grave tjera.

    Allahu grave që jetuan në shtëpinë e profetësisë ua ngriti pozitat, ua rriti vlerën dhe zbriti ajete në Kur’an me lavdërimin e tyre. Allahu tha: “O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera.Nëse I frikësoheni Allahut”. (El-Ahzab: 32) Ishin bashkëshorte të bekuara dhe gra madhështore!

    E para nga ato ishte Hadixhe bint Huvejlid, Allahu qoftë i kënaqur me të. Një grua e mençur, mendjemprehtë, me fe e me moral dhe me prejardhje të mirë. U rrit duke u pajisur me cilësi të moralit të mirë dhe duke u edukuar me edukatë të lartë. U përshkrua me ndershmëri dhe me turp, thirrej në mesin e grave të Mekës si e “Pastra”. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u martua me të dhe ishte me te vërtetë grua e bereqetshme për të. E strehoi me veten e saj dhe me pasurinë e saj dhe me mendjemprehtësinë e saj. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur pikëllohej strehoj tek ajo dhe ia rrëfente brengat e veta. Në fillim kur zbriti shpallja u kthye te ajo, me zemër të frikësuar nga ajo që e pa, dhe i tha: “Kam frikë se do të më ndodhë gjë.” Ndërsa Hadixhja i tha: “Kurrë! (Betohem) për Allah! Allahu kurrë nuk do të të poshtërojë, sepse ti, me të vërtetë, mban lidhje të mira me farefisin, ndihmon të varfrit dhe i mban të këputurit, i pret mirë miqtë dhe u gjendesh pranë nevojtarëve në fatkeqësi”.

    Ishte e para që besoi nga ky umet! Ibën Ethiri, Allahu e mëshiroftë, tha: “Hadixhja ishte krijesa e parë e Allahut, që u bë muslimane, dhe në këtë janë unikë të gjithë muslimanët. Para saj nuk kishte as burrë e as grua që ishin muslimanë”.

    Kur iu shtuan vështirësitë të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në fillim të thirrjes së tij dhe iu shtuan dhembjet, ajo ishte me të zemërbutë dhe e vendosur. Çdo herë kur dëgjonte nga njerëzit diçka të keqe, kthehej tek ajo, dhe ajo e qetësonte dhe e përforconte. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Besoi tek unë kur të tjerët më mohuan, pohonte se ç’thoja kur të tjerët më lanë në baltë, më ndihmoi me pasurinë e saj dhe Zoti caktoi të kisha me të fëmijë.

    Grua madhështore dhe respektuese e burrit të saj dhe nënë e dashur. Të gjithë fëmijët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishin nga ajo, përveç Ibrahimit. Edukata e saj ishte e lartë dhe morali i saj madhështor. Asnjë ditë na ditët nuk e ngriti zërin ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe nuk e dëmtoi në asnjë lloj mënyre! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Më erdhi Xhibrili, alejhi selam, dhe më tha: Përgëzoje me Xhenet ku nuk do të ketë as zhurmë e as ushtimë!”.

    Suhejlij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “E përgëzoi me shpi në Xhenet, sepse ajo nuk e kishte ngritur zërin e saj ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe nuk e kishte munduar asnjë ditë nga ditët dhe nuk i kishte bërtitur dhe asnjëherë nuk e kishte dëmtuar”.

    Ishte e dashur tek Zoti i saj. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Xhibrili më tha: Nëse vjen Hatixheja dërgoji selam nga Zoti i saj dhe nga unë”.

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: Kjo është nder që nuk i është dhënë ndonjë gruas tjetër.

    Allahu e donte dhe e donin melekët dhe e donte i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe thoshte: “Më është dhuruar dashuria e saj”.

    Kur e përmendte e lartësonte emrin e saj dhe e falënderonte shoqërimin e saj. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk ndalej nga të lavdëruarit e saj dhe të kërkuarit falje për të.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk e harronte dashurinë dhe sakrificën e saj dhe pas vdekjes së saj ishte bujar me shoqet e saj. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte se kur therte dele, i copëtonte pjesët e saj, e pastaj ia dërgonte shoqeve të saj. Unë i thosha sikur se të mos ketë grua tjetër në dynja, përveç Hadixhes, e ai ma kthente: “Ajo ishte dhe ishte, fëmijët i kisha me të”.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e dëgjoi zërin e motrës së saj pas vdekjes së saj, dhe u mërzit tepër dhe tha: “Ma rikujtoi Hadixhen”.

    Ishte e përsosur në fenë e saj dhe në mendjen e saj dhe në moralin e saj. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thoshte: “Nga burrat janë përsosur shumë syresh, por nga gratë nuk janë përsosur veçse tri: “Asija, gruaja e faraonit, Merjeme bint Imran dhe Hadixhja bint Huvejlid”.

    Ia tejkaloi grave të këtij Umeti në meritë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Gruaja më e mirë e kohës së saj është Mejrem bint Imrani, kurse gruaja më e mirë e kësaj kohe është Hadixhe bint Huvejlidi”.

    E përmirësoi veten dhe shtëpinë e saj dhe erdhi edhe fryti i mundit të saj. Ajo dhe vajza e saj janë ndër gratë më të mira të botëve në Xhenet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thoshte: “Gratë më autoritative në Xhenet janë Merjemi, nëna e Isait, alejhi selam, Fatimja, bija e Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, Hadixhja, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe Asija, gruaja e Faraonit”.

    Ishte madhështore në zemrën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Nuk u martua me asnjë grua tjetër para saj, dhe derisa ishte me të nuk u martua me grua tjetër dhe u mërzit tepër kur ndërroi jetë. Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ishte grua e mençur, madhështore, me fe të pastër, e ndershme, fisnike nga banorët e Xhenetit”.

    Në shtëpinë e drejtësisë dhe devotshmërisë lindi Aishja, e bija e Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me ta. U rrit në një shtëpi ku dominonte imani dhe feja. Nëna e saj ishte sahabeshë, motra e saj ishte Esmaja sahabeshë, vëllai i saj ishte sahabij, kurse prindi i saj ishte “i sinqerti” i këtij umeti. U rrit me një shtëpi ku dominonte dituria. Prindi i saj ishte dijetari i kurejshëve dhe ishte njohësi më i mirë i gjenealogjisë së tyre. Allahu i kishte dhuruar mençuri dhe mundësi për të nxënë përmendësh. Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ka pasur nëpër umete si Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, në nxënie përmendësh, dhe në dituri, dhe oratori dhe mençuri”.

    Ia tejkaloi grave me dituri dhe urtësi, dhe ju dhurua të kuptuarit e thellë të fesë dhe të nxëniesh përmendësh të poezive. Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Aishja ishte gruaja më e ditur e Umetit, dhe nuk di grua, jo vetëm në Umetin e Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, po në përgjithësi, më të ditur se sa ajo”.

    Ia tejkaloi grave me meritat e saj dhe me shoqërimin e saj të mirë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Aishja është superiore ndaj grave tjera sikur që tharidi (një lloj gjelle që bëhet në Arabi) është superior ndaj ushqimeve tjera”.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e donte shumë. Amru ibën As, Allahu qoftë i kënaqur me të, e pyeti të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se kush nga njerëzit është më i dashur tek ti?! U përgjigj: “Aishen”. Amru ibën Asi i tha edhe një herë: “Ndërkaq, kë e do më së shumti prej meshkujve?”. Iu përgjigj: “Babën e saj, Ebu Bekrin!”

    Nuk u martua me beqare nga gratë përveç se me atë. Ishte e ndershme, adhuruese, nuk dilte nga shtëpia e saj përveç se natën që mos ta shohin burrat, Thotë për vetveten e saj: “Nuk dilnim përveç se natën”. Kështu e realizonin dhe e nxjerrin në vepër fjalën e Allahut: “Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes”. (El-Ahzab: 33)

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: Sheriati urdhëron gratë që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, dhe të ruajnë veten e tyre dhe mos të dalin nga to përveç se kur kanë nevojë. Dhe nëse kanë nevojë për të dalë jashtë le të mbulohen plotësisht”.

    Allahu e sprovon atë që e do dhe sprova vjen sipas imanit të robit. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, u sprovua me shpifje në nderin e saj. Ajo vet thotë: “Gjithë atë ditë unë vazhdova të qaj, aq sa lotët nuk mu ndalën dhe nuk vura gjumë në sy. Në mëngjes prindërit e mi ishin me mua. Kisha qarë dy net dhe një ditë, aq sa mu duk se nga e qara do të më plaste mëlçia”.

    Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu xhelozoi për të. E shfajësoi në dhjetë ajetet që do të lexohen deri në Ditën e Kiametit, ia ngriti çështjen e saj, ia mbrojti nderin e saj, dëshmoi se është nga të ndershmet dhe i premtoi falje dhe furnizim të bollshëm”.

    I shërbeu të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe e shoqëroi atë derisa ndërroi jetë në shtëpinë e saj dhe në natën e saj dhe në prehrin e saj.

    Seudah bint Zumah, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte gruaja me të cilën u martua i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, pas vdekjes së Hatixhes. Ishte grua me zemër të pastër, e ndershme dhe bujare. Nga dashuria që e ndjente ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ia dhuroi natën e saj Aishes, duke shpresuar për këtë vepër shpërblim tek Allahu.

    Hafsa, e bija Omer ibën Hatabit, Allahu qoftë i kënaqur nga ata, ishte gruaja tjetër me të cilën u martua i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Njihej si grua që e adhuron Allahun tepër dhe u rrit në shtëpi ku dominonte feja dhe e vërteta. Shtatë anëtarë nga familja e saj ishin pjesëmarrës në luftën e Bedrit. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, për të thoshte: “Hafsa ishte ajo që më konkurronte nga gratë e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të”.

    Zejneb bint Huzejme el Hilalijeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, e njohur si dorëdhënëse e madhe dhe si e shpejtë në adhurime. Jetoi me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, vetëm se dy muaj dhe pastaj ndërroi jetë.

    Remleh bint Ebu Sufjan, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila njihej me emrin Ummu Habibeh. Njihej me durimin e saj dhe ishte nga të gjitha gratë e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, më afër tij me prejardhje. Dallohej nga gratë e tjera për ka lëmosha, jepte më shumti se sa të tjerat.

    Hind bint Ebu Umujes, e njohur me emrin Ummu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur me të. Ishte nga gratë e para që emigroi për në Medine, mirëpo kur deshi të niset me burrin e saj Ebu Seleme, populli i saj i ndau Ummu Selemen dhe burrin e saj dhe fëmijën e saj. Thotë: Për çdo ditë dilja dhe ulesha me një luginë dhe qaja, dhe kështu vazhdova për një vjet apo afër një viti, derisa ju erdh keq për mua dhe ma kthyen fëmijën.

    Bindja e saj në Allahun ishte e madhe. Burri i saj i ndërroi jetë dhe ajo u mërzit tepër. Iu drejtua Zotit të saj me një lutje profetike dhe Allahu ia zëvendësoi me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për burrë. Thotë e dëgjova të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: “Çdo person, të cilin e godet një fatkeqësi dhe thotë: “Të Allahut jemi dhe etëm tek Ai do të kthehemi. O Zot më jep shpërblim nga fatkeqësia që më ka rënë dhe ma zëvendëso këtë (fatkeqësi) me një më të mirë”, pa dyshim Allahu ka për ta shpërblyer dhe ka për t’ia zëvendësuar me një më të mirë se ajo”. Dhe kur ndërroi jetë Ebu Seleme thashë në vete se ku ka musliman më të mirë se sa Ebu Seleme, i cili ishte prej të parëve që emigroi për te i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të?! Pastaj e bëra atë lutje dhe Allahu ma mundësoi të martohem për të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

    Pra ruaje këtë dua dhe thuaje kur të sprovohesh me qëllim që Allahu ta zëvendësojë me diçka më të mirë!

    Zejneb bint Xhehsh, që njihej si nëna e të mjerëve, Allahu qoftë i kënaqur me të. U martua me të Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me citat prej Kur’anit prej anës së Allahut, pa përgjegjës dhe pa dëshmitarë. Allahu tha: “E, pasi Zejdi bashkëjetoi me gruan e vet dhe u nda prej saj, Ne ta dhamë ty për bashkëshorte”. (El-Ahzab: 37) Martesa e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është e bekuar për gratë muslimane deri në Ditën e Kiametit, sepse pasi që u martua me të u detyrua hixhabi për të gjitha bijat e Havës, që të jetë mbrojtje për nderin e tyre dhe dëlirësi për shpirtrat e tyre!

    Ishte bujare ndaj të varfërve dhe të mjerëve, jepte shumë lëmoshë dhe ishte bamirëse. Edhe përskaj pozitës së lartë që e kishte, ajo vet punonte dhe jepte lëmoshë nga përfitimi i saj. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: Nuk kam parë grua më të mirë në fe se Zejnebi. I frikohej shumë Allahut dhe ishte e sinqertë në fjalimin e saj, e vizitonte shumë farefisin dhe jepte shumë lëmoshë!

    Xhuvejrije bint Harith, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga fisi Beni Mustalik. Ishte adhuruese e madhe e Allahut. Prindi i saj ishte zotëri që respektohej në fisin e vet, kurse ajo ishte e bekuar në veten e saj dhe për familjen e saj. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, për të thotë se nuk kam parë grua më të bekuar për popullin e saj se sa Xhuvejrija!

    Ajo ishte që e adhuronte Allahun tepër, ulej në faltoren e saj dhe e përmendte Allahun deri në drekë. Ajo thotë se një ditë më erdhi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e unë isha duke bërë dhikër, e pastaj shkoi për nevojat e veta, dhe më vonë u kthye afër drekës dhe tha: “Ende vazhdon të jesh ulur”, d.m.th. ende vazhdon ta përmendsh Allahun. I thash: Po!

    Safije bint Hujej, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila ishte prej pasardhësve të Harunit, alejhi selam. Ishte e ndershme, e mençur, mendjemprehtë dhe me fe dhe me pozitë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Ti je bija e Pejgamberit (qëllimi është je prej pasardhësve të Harunit, alejhi selam), dhe axha yt ka qenë pejgamber (Musa, alejhi selam) dhe ti je martuar me pejgamber”.

    Dasma e tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me Safijen ishte shumë e thjeshtë dhe modeste, mirëpo e bereqetshme!

    Mejmune bint Harith, Allahu qoftë i kënaqur me të. Njihej si grua që e respektonte shumë farefisin dhe ishte nga gratë më madhështore. Allahu i kishte dhuruar zemër të pastër dhe shpirt të mirë dhe ishte e kapur për adhurime. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, për të thotë dallohej nga ne për ka frika ndaj Allahut dhe për ka vizita e farefisit!

    O muslimanë, kjo ishte biografia e grave më të ndershme, e nënave të besimtarëve. Meritat e tyre janë madhështore dhe gratë e muslimanëve detyrohen t’i marrin ato si shëmbëlltyrë jete, t’i pasojnë ato në fe dhe në moral dhe në respekt, në dhënien e lëmoshës, në bamirësi dhe në adhurime, në përmbajtjen e gjuhës, në durim dhe në kërkim të diturisë, në dëlirësi dhe në nder nëse do lumturi.

    Gratë e të Dërguarit të Allahut jetuan me të në shtëpi modeste, të ndërtuara me qerpiç dhe me kulm nga fletët e pallmës, mirëpo të mbushura me iman dhe devotshmëri. Ishin durimtare së bashku me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në varfri dhe skamje. Kishte rast kur një muaj apo dy muaj nuk ndizej zjarri në shtëpinë e tyre. Kishte ditë kur nuk kishin në shtëpitë e tyre përveç se një hurmë, kishte raste kur kalonte një periudhë dhe nuk kishin përveç se ujë pa ushqim. Të gjitha i duronin me bindje dhe shpresë në premtimin e Allahut: “Natyrisht, jeta e ardhshme për ty është më e mirë se kjo jetë”. (Ed-Duha: 4)

    Shpërblimet e tyre janë të dyfishuara: “Ndërsa atyre prej jush që binden ndaj Allahut e të Dërguarit të Tij dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’u japim shpërblim të dyfishtë e u kemi përgatitur begati të mëdha”. (El-Ahzab: 31)

    Pesë nga ato i martoi duke qenë ato në moshë mes të dyzetave dhe të gjashtëdhjetave. Me këtë e realizoi përkujdesjen e të vejave dhe të fëmijëve të tyre jetimë. E martoi Hadixhen dhe ajo ishte dyzet vjeçare, dhe ajo i kishte tre fëmijë me burrë tjetër, kurse ai ishte i pamartuar. E martoi Zejnebin dhe ajo ishte e vejë dhe ishte afër të gjashtëdhjetave. E martoi Ummu Selemen dhe ajo ishte e vejë me gjashtë fëmijë, dhe e martoi Seudën dhe ajo ishte e vejë dhe i kishte pesëdhjetë e pesë vite.

    Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte burrë i butë, fisnik, bujar, bamirës, i butë me to dhe i sjellshëm me to. Kush kërkon lumturinë le ta merr si yrnek Muhamedin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe çdo grua që kërkon lumturinë le t’i merr si yrnek nënat e besimtarëve në adhurim, në nder, në devotshmëri dhe në bamirësi.

    Dr. Abdulmuhsin El Kasim

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

  • PARALAJMËRIMI I BESIMTARËVE NGA VESVESET E SHEJTANIT

    PARALAJMËRIMI I BESIMTARËVE NGA VESVESET E SHEJTANIT

    O muslimanë, vesvesja është prodhimi i Iblisit, vepra dhe mjeti i tij, për ta devijuar të birin e Ademit. Me vesvese i sulmon dhe i gjuan, ata që i bën të adhurojnë Allahun me dyshime, iluzione dhe supozime, derisa u hedh në kokë mendime të liga dhe iluzione dhe bien në depresion dhe gjendje shqetësuese. Kjo i nxit dhe i shtyn në ekstremizëm, në tepricë dhe ashpërsi dhe në tejkalimin e masës së lejuar.

    Nga mashtrimet dhe vesveset e shejtanit është ajo që e hedh në mendjen e njeriut, nga dyshimet dhe idetë e devijuara, sa i përket mënyrës së krijimit dhe ringjalljes, ngritjes mbi Arsh dhe gjërave tjera që janë nga imani. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Dikujt prej jush i vjen shejtani dhe i thotë: Kush e ka krijuar këtë, kush e ka krijuar atë? E kështu me radhë derisa pyet: Kush e ka krijuar Zotin tënd? Kur të vijë ai deri tek kjo pyetje, njeriu le të kërkojë mbrojtje nga Allahu dhe le ta ndërpresë”. Me një transmetim tjetër ceket: “Kur dikush nga ju e gjen këtë gjë tek vetja le të thotë: Amentu bil-lahi ue Resuli (Besoj në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij) dhe kjo do t’i dëbojë nga ai këto pëshpëritje”.

    Nga mashtrimet dhe vesveset e tij janë edhe vesveset dhe mashtrimet gjatë marrjes së abdesit dhe pastrimit. E vëren se ka nga njerëzit që pastrohen apo marrin abdes dhe e përsërisin veprën e tyre shumë herë, pjesët e trupit i fërkojnë shumë herë, dyshojnë në atë që e kanë pastruar dhe mendojnë se trupin nuk e kanë larë dhe prapë i kthehen të njëjtës. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk shton më shumë se tri herë në larje, vetëm se i sprovuari”.

    Ibën Xheuzij, Allahu e mëshiroftë, e përcjell nga Ebi Vefa el Akil, Allahu e mëshiroftë, se një njeri i tha: “Zhytem në ujë shumë herë dhe dyshoj se a jam pastruar apo jo, çka do të më kishit thënë ju për këtë?! Dijetari iu përgjigj: Ik, se nga ti nuk kërkohet namazi! I tha, e si ashtu?! Iu përgjigj: Për arsye se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Është ngritur Lapsi nga tre: nga fëmija derisa të arrijë moshën e pjekurisë, nga i fjeturi derisa të zgjohet, dhe nga ai i cili ka humbur mendjen derisa t´i kthehet ”. Kush zhytet në ujë shumë herë dhe dyshon se a është pastruar apo jo, është i çmendur”.

    Ilaçi i këtyre vesveseve është largimi i mendimeve dhe dyshimeve, kundërshtimi i vesveseve dhe mos dhënia rëndësi fjalëve të shejtanit që dëgjohen në mendje apo në vesh.

    Ka nga njerëzit që e zgjasin qëndrimin e tyre nëpër banjo pa nevojë dhe shpesh ndodh që u ik namazi me xhemat dhe më këtë u ikin edhe shumë të mira. Si është e mundur, që një njeri i mençur të qëndrojë gjatë me një vend sikurse nevojtoret, ku aty afrohen shejtanët dhe shpirtrat e fëlliqur.

    Nga vesveset e Iblisit po ashtu janë edhe vesveset në namaz. Ka nga njerëzit të cilët nijetin e tyre e thonë me zë të lartë dhe e përsërisin shpesh dhe përpiqen ta shqiptojnë me gojë duke e rritur zërin me shumë mund. Ka mundësi që njeriu të hyn në namaz, e pastaj të del nga ai, për arsye se dyshon në nijetin e tij.

    Shqiptimi i nijetit me zë është nga risitë në fe, përsëritja e tij është vesvese, ngritja e zërit është pengesë për njerëzit dhe të adhuruarit e Allahut nëpërmjet tij është risi.

    Ka nga njerëzit që e përsërisin tekbirin fillestar disa herë dhe e përsërisin suren Fatiha me vazhdimësi.

    Ka nga ata që i përsërisin në namaz disa fjalë apo shkronja shumë herë, derisa ka mundësi t’ju ik edhe ndonjë rekat.

    Ka nga ata që shejtani u bën vesvese se nuk kanë abdes apo ju ka prishur abdesi brenda namazit dhe i bën të dalin nga namazi dhe t’i pengojë në faljen e tij.

    I ndalohet atij që falet të del nga namazi nëse nuk është plotësisht i bindur se e ka prishur abdesin. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju ndjen në barkun e tij diçka dhe dyshon se a ka dalë diçka nga ai apo jo, mos të del nga xhamia derisa nuk dëgjon zë apo nuhat erë”.

    O muslimanë, çdo herë që afrohen vesveset e Iblisit largoni ato duke kërkuar mbrojtje tek Allahu dhe duke e vepruar të kundërtën e tyre dhe duke i luftuar ato me dituri dhe Sunet dhe duke u mbrojtur me dhikër. Shpeshtoni duatë, preokuponi me lexim të Kur’anit, përkujdesuni për namazin, largojuni mexhliseve të sherrit dhe shokëve me moral të ligë, jeni të kujdesshëm nga vendet e fëlliqura dhe me erë të keqe, mbështetuni në Allahun nga Iblisi dhe dredhitë e tij dhe kërkoni mbrojtje tek Allahu nga të pështynit, fryrjes dhe pëshpëritja e tij.

    Ndërpritni iluzionet, largoni dyshimet, shtyni vesveset e Iblisit, mos i prishni veprat e juaja dhe mos i shkatërroni adhurimet e juaja dhe mos e humbni namazin e juaj.

    Kush kërkon mbrojtje tek Allahu, vetëm se është udhëzuar, kush i mbështetet Atij, vetëm se i ka mjaftuar dhe kush kërkon ndihmë nga Ai, vetëm se e ka mbrojtur dhe shëruar.

    Dr. Salah El Budejr

    Nga arabishtja: irfan JAHIU

  • PËRGËZIMI NË KURAN DHE SUNET

    PËRGËZIMI NË KURAN DHE SUNET

    Përgëzim, i gëzuar nga diçka, lajmi i mirë! Këto janë fjalë që kuptimi i tyre përçon shpresë, e shërojnë humbjen e shpresës dhe dëshpërimin, janë faktor i bindjes në premtimet e Allahut dhe i largojnë brengat dhe mërzitë.

    Përgëzimi në përgjithësi nuk vjen vetëm se për të mirë, kurse për të keqen vjen atëherë kur përcaktohet. Kur’ani na sjell pamje të ndryshme nga përgëzimet dhe mejdani i tyre është i gjerë dhe i llojllojshëm.

    Allahu Kur’anin e zbriti si shpjegim për çdo çështje, dhe “si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët”. (En-Nahl: 89); “Në të vërtetë, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh”. (El-Isra: 9)

    Ajetet e Kur’anit në zemrën e besimtarit derdhin qetësi, dhe nëpërmjet tyre vijnë përgëzimet. Xhibrili, alejhi selam, i tha të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Kjo është një derë e qiellit, u hap sot dhe nuk do të hapet kurrë më përveçse sot.” Pastaj tha: “Përgëzohu me dy dritat që t’u dhanë, të cilat nuk i janë dhënë asnjë Pejgamberi para teje. Ato dy drita janë surja Fatiha dhe fundi i kaptinës Bekare, nuk lexon asnjë shkronjë nga ato që mos të të jepet shpërblimi”.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është sjellës i lajmeve të mira dhe paralajmërues. Allahu tha: “Ne të kemi dërguar ty vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues”. (El-Furkan: 56)

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nxiti për në përgëzim, dhe ndaloi nga të frikësuarit, dhe tha: “Përgëzoni dhe mos frikësoni, lehtësoni dhe mos vështirësoni”. Sahabët i urdhëroi dhe u tha: “Thirrni njerëzit, përgëzoni e mos frikësoni, lehtësoni e mos vështirësoni”.

    Baraspesha mes përgëzimit dhe frikësimit janë nga udhëzimi i të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe kjo është mesatarja: të shpresosh mëshirën e Allahut dhe t’i frikohesh dënimit të Tij.

    Dëgjimi i përgëzimeve shton në përpjekje dhe përkujdesje ndaj nënshtrimeve. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për Othmanin, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: “Nuk i bën dëm asgjë Othmanit pas kësaj që bëri”. Kjo Othmanit nuk i shtoi veç hajr, e respekt dhe nënshtrime më të tepërta.

    Përgëzimi është mbështetje morale dhe përforcim që s’mundet pa të. Kjo paraqitet në rastin me Hatixhen, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur i thotë burri të saj, Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Përgëzohu, se pasha Allahun, Allahu nuk të poshtëron asnjëherë!”.

    Nuk ka më mirë sesa të dëgjojnë bashkëshortët mes vete, ushtari nga udhëheqësi i vet, punëtori nga kryetari i vet, fjalë përkrahjeje dhe përforcimi, ku e njofton njëri-tjetrin me lajme të mira gjatë frikës dhe pikëllimit.

    Ata që kthehen nga Allahu kanë lajme të gëzueshme. Allahu thotë: “Le të gëzohen ata që shmangen nga adhurimi i idhujve e kthehen nga Allahu! Pra, jepu lajme të gëzueshme robërve të Mi”. (Ez-Zumer: 17)

    Ata që i frikohen Allahut, për ta ka shpëtim në dynja dhe ahiret: “(Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut). Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën”. (Junus: 63-64)

    Ata që luftojnë në rrugë të Allahut, përgëzimi i tyre është rehatia dhe të kënaqurit e Allahut me ta. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që besojnë, mërgojnë dhe luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë e tyre dhe jetën e tyre, janë në shkallë më të lartë tek Allahu. Pikërisht këta janë të fituarit. Zoti i tyre u jep lajmin e mirë për mëshirën dhe miratimin e Tij, si dhe për kopshtet ku do të ketë kënaqësi të përhershme për ta”. (Et-Teube: 20-21)

    Kurse për durimtarët, Allahu i Madhëruar thotë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!”. (El-Bekare: 155-157)

    Përgëzim ka edhe për ata që ecin në këmbë për në xhami. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Përgëzoji ata qe ecin shumë në errësirë për në xhami me një dritë të plotë në Ditën e Kiametit”.

    Kush sprovohet me sëmundje, i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për ta thotë: “Përgëzohu, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është zjarri Im të cilin Unë e kam autorizuar kundër robit Tim besimtar në dynja, me qëllim që ai të jetë pjesa e tij prej zjarrit në Ditën e Gjykimit (që të mos digjet atje)”.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u urdhërua ta përgëzojë Hatixhen me shtëpinë në Xhenet.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e përgëzoi Amar ibën Jasirin, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe i tha: “Përgëzohu, o Amar! Ty do të të vrasë grupi tiran (i padrejtë)”.

    Evliave të Allahut u jepen përgëzime në dynja dhe ahiret. Allahu i Madhëruar thotë: “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut). Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën”. (Junus: 62-64)

    Nga përgëzimi i besimtarit në dynja është lavdërimi i veprave të tij nga ana e njerëzve. Besimtari ato vepra i bën fshehurazi për Allahun, mirëpo Allahu do që t’ia shpalos dhe ta përgëzojë në dynja para se ta përgëzojë në ahiret. Ebu Dher, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u pyet se kur njeriu punon vepra të mira, dhe njerëzit e lavdërojnë për ato vepra, si është puna e tij? I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kjo është përgëzimi i besimtarit në dynja”.

    Ëndrra e mirë është një nga format e përgëzimeve. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahu qofshin mbi të, thotë: “Tashmë nga profetësia kanë ngelur vetëm gjërat inkurajuese. “Cilat janë gjërat inkurajuese?” – pyetën disa. Ai tha: “Ëndrra e mirë”.

    Përgëzimi për lindjen e fëmijës është Sunet i ligjësuar dhe Allahu i qortoi fort ata që mërziten dhe dëshpërohen me lindjen e vajzës: “Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë. Disave u dhuron të dyja gjinitë: djem e vajza; e, kë të dojë e lë pa fëmijë”. (Esh-Shura: 59-60); “Dhe, kur ndonjëri prej tyre merr lajmin se i lindi një vajzë, fytyra i nxihet dhe i mbushet me mjerim. Ai fshihet nga njerëzit për shkak të lajmit të keq që mori dhe s’di: a ta mbajë këtë fëmijë, pavarësisht poshtërimit apo ta varrosë në dhe. Ah! Sa mbrapsht që gjykojnë ata!”. (En-Nahl: 58-59)

    Erërat janë nga përgëzimi dhe lajmi i mirë. Allahu tha: “Dhe, një prej shenjave të Tij, është dërgimi i erërave mbartëse të lajmeve të mira (shiut), që t’ju bëjë të shijoni nga mëshira e Tij, që anija të lundrojë me urdhrin e Tij, që të kërkoni nga dhuntia e Tij dhe që të jeni mirënjohës”. (Er-Rum: 46)

    Allahu evliave të tyre u dha disa shenja që aludojnë në atë se Allahu ua do hajrin, dhe atyre u dërgon suksese e mirësi dhe lehtësime pas vështirësive. Allahu tha: “Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit”. (El-Lejl: 5-7); “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen”. (Et-Talak: 4)

    Nëse ti e vëren se punët të janë lehtësuar dhe Allahu të ka dhënë suksese dhe mirësitë të vinë pa i pritur, kjo është pa dyshim nga përgëzimet.

    Besimtarit i paraqiten disa nga përgëzimet në momentet e vdekjes, si dhe gjatë qefinosjes së tij, apo gjatë larjes së xhenazes së tij, kurse për përgëzimin e tij në ato momente kur ndahet nga kjo dynja, Allahu thotë: “O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty! Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në Xhenetin Tim!”. (El-Fexhr: 27-30)

    Nga përgëzimet madhështore është përgëzimi me pranimin e pendimit. Kjo më mirë na përshkruhet në pendimin e Kab ibën Malikut, Allahu qoftë i kënaqur me të. Pasi që i kaloi pesëdhjetë ditë në vetmi, i distancuar nga shoqëria në Medine, së bashku me dy tjerë që nuk dolën në luftë me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, Kab ibën Maliku thotë se pasi që e fala sabahun u ula ta përmendi Allahun. Shpirti më shtrëngonte, toka më ishte ngushtuar, e pritja lehtësimin nga ana e Allahut dhe në ato momente e dëgjova një zë i cili bërtiti fort: O Kab, përgëzohu! Kur e dëgjova zërin e tij, rashë në sexhde! E kuptova se kishte ardhur lehtësimi. Njerëzit më takonin një nga një, më uronin për pendimin dhe më thoshin urime pranimin e pendimit. Kur e takova të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, fytyra e tij ishte e bukur si hëna, ishte i gëzuar dhe më tha: “Përgëzohu me ditën më të mirë që kaloi në jetën tënde prej atë dite kur të lindi nëna jote!”. I thash a nga ti, o i Dërguar i Allahut, a nga ana e Allahut?! Më tha: “Jo nga unë, po nga ana e Allahut”. Allahu rreth neve e zbriti ajetin: “Pa dyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve, të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirë, pasi zemrat e disave prej tyre për një fije qenë afër shmangies (nga detyra), pastaj Allahu pranoi pendimin e tyre Vërtet, Ai është i Butë dhe i Mëshirshëm me ta”. (Et-Teube: 117)

    Dr. Abdulbarij Thubejti

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • PËRMBAJE GJUHËN TËNDE

    PËRMBAJE GJUHËN TËNDE

    O muslimanë, me llomotitje nënkuptojmë të folurit kot, dërdëllisje dhe preokupim me diçka prej të cilës nuk ka dobi. Allahu na urdhëroi që të shmangemi prej saj dhe e ndaloi rënien në të duke na bërë me dije se ajo njeriun e largon prej gjërave të dobishme dhe prej qëllimit të krijimit të tij i cili është adhurimi i Allahut të Lartësuar. Për këtë shkak të shmangurit prej llomotitjes, fjalëve të kota, të gjepurave dhe dërdëllitjeve është një prej argumenteve të përsosmërisë dhe shpëtimit të robit. Allahu i Lartësuar largimin prej llomotitjes e përmendi në Kur’an në mes të dy shtyllave të Islamit, edhe atë në mes të namazit dhe zeqatit. Allahu i Lartësuar thotë: Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit, ata të cilët i shmangen të kotës (fjalë a punë), dhe ata të cilët rregullisht e japin zeqatin”. (El-Mu’minun: 1-4)

    Llomotitja merr forma të ndryshme si: zhytja në të kotën, të folurit me mëkate, përhapja e të shëmtuarës, pasimi i të metave të njerëzve, përbuzja dhe tallja me njerëzit, etj. Le t’i frikohet Allahut çdo besimtar dhe besimtare prej rënies në këto vepra, mjerë për çdo përqeshës – shpifës, mjerë për shpifësin që përhap thashetheme dhe mjerë për atë që betohet shumë dhe është i poshtër.

    Nëse e mediton gjendjen e njerëzve në përgjithësi do të vëresh se kohën e tyre e kalojnë në gjëra të kota. Tërë ditën flasin për të tjerët, shpifin fjalë e vepra, i bartin fjalët e të tjerëve, mallkojnë, akuzojnë, përgojojnë, shajnë, analizojnë, lexojnë gazeta e revista që nuk u bëjnë aspak dobi, shumicën e kohës e kalojnë pranë televizionit dhe internetit ose nëpër kafe e diskoteka. Madje disa prej njerëzve i vëren se këtë e marrin si profesion, nuk dinë të veprojnë gjë tjetër përveç se t’i përbuzin të tjerët, të tallen me to, të shpifin për gratë e ndershme dhe besnike, të tallen me ndokënd se është i gjatë apo i vogël, apo është ahmak apo injorant, sikurse t’ia kishte besuar këtë detyrë ndokush që tanë ditën e natën të merret me këtë vepër. Vallë ky njeri a nuk i dëgjoi thëniet e Allahut: “Ne do ta shënojmë atë që thanë”. (Ali Imran: 181); “dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)”. (Kaf: 18)

    Çështja rritet më shumë dhe belaja bëhet më e madhe kur vëren se këto vepra të shëmtuara i veprojnë disa njerëz të cilët paraqiten para tjerëve se janë të devotshëm e dijetarë, ndërsa në fakt ata nuk lënë njeri pa folur keq për të, me gjuhë apo me penë, qoftë ai njeri i gjallë apo i vdekur. Vallë ata a i shëruan të metat e tyre dhe nuk u mbeti gjë tjetër pos të merren me të metat e të tjerëve? Po të merreshin me të metat e tyre do të ishte shumë më mirë se sa të merren me të metat e të tjerëve. Lum për atë që gjuhën e ka të përmbajtur, e dorën e ka të lirë në shpenzimin e pasurisë dhe përmbahet prej përmendjes së meritave të tij.

    Njerëzit e mëdhenj dhe të mençur kur i dëgjojnë fjalët e kota dhe llomotitjet i shmangen atyre. Prej tyre nuk del fjalë e kotë dhe e pahijshme, nuk e kanë synim reputacionin dhe prestigjin, kur ulen në mexhlise dallohen morali dhe virtytet e larta të tyre krahas atyre që merren me dërdëllisje dhe të gjepura.

    O robër të Allahut!

    Për t’iu shmangur të kotës dhe për ta pajisur veten me moral të lartë duhet që t’i ndjekim disa prej parimeve, si të shmangurit prej bërjes së shakave dhe humorit të tepërt, për shkak se ato e largojnë seriozitetin dhe shkaktojnë smirëzi e urrejtje, kurse veprimi i saj në sasi të vogël për gëzimin dhe kënaqësinë e shpirtit nuk është problem, mirëpo duhet të jetë konform parimeve islame. Përcillet se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, bënte shaka dhe se në to nuk e thoshte përveç se të vërtetën.

    Prej parimeve që duhet t’i ndjekim është edhe mposhtja e zemërimit, falja e njerëzve dhe largimi prej të paditurve. Si mundet të jetë njeriu fisnik dhe me moral të lartë kur ai nuk largohet prej gabimeve, nuk e frenon mllefin dhe nuk ua fal të keqen njerëzve? Po ashtu, prej parimeve që duhet t’i ndjekim është edhe largimi prej polemikave dhe mbyllja e derës së debateve edhe po të ishe në hak. Kush flet shumë i zvogëlohet respekti tek njerëzit.

    Me pak fjalë, gjëja që i bashkon këto të gjitha dhe parimi më kryesor që duhet t’i kushtojmë rëndësi është përmbajtja e gjuhës dhe ruajtja e saj. Në ruajtjen e saj ka mirësi dhe paqe. E folmja e tepërt dhe dërdëllitjet janë shkak për humbjen e maturisë, për njollosjen e autobiografisë dhe për vendosjen e perdes në zemër.

    Sufjan ibën Abdullah Thekafij, Allahu qoftë i kënaqur me të, e pyeti të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selem, se prej cilës gjë frikohet më së shumti për të? -I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem, e kapi gjuhën e tij dhe i tha: “Kjo është ajo që i frikohem më së shumti për ty”.

    I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem, i tha Muadh ibën Xhebelit, Allahu qoftë i kënaqur me të: Të pastë nëna, o Muadh, a thua njerëzit hidhen në zjarr me fytyra të tyre për diç tjetër pos për shkak të gjuhëve të tyre?

    Gjuha është një litar i dobët në dorën e shejtanit me të cilin e udhëheq njeriun kah të donë. Personaliteti i njeriut fshehët nën gjuhën e tij, në rast se fillon të flas atëherë paraqitet gjendja e tij. Për këtë shkak Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Pasha Allahun që nuk i takon adhurimi me të drejtë askujt përveç se Atij, nuk di ndonjë gjë që ka më shumë nevojë për burgim të gjatë se sa gjuha”.

    Madje të gjitha gjymtyrët e njeriut janë të lidhura me gjuhën qoftë në rrugë të drejtë apo në atë të devijuarën. Imam Tirmidhiu dhe të tjerët prej dijetarëve të hadithit, Allahu i mëshiroftë, në librat e tyre e shënojnë hadithin të cilin e përcjell Ebu Seid el Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, prej Muhamedit, alejhi salatu ue selem, i cili kishte thënë: Kur gdhihet njeriu të gjitha gjymtyrët e tij i drejtohen gjuhës duke i thënë: “Kij frikën Allahut lidhur me ne, sepse ne jemi me ty. Nëse ti je në rrugë të drejtë, edhe ne jemi në rrugë të drejtë, e nëse ti lajthitë, edhe ne kemi lajthitur”.

    O muslimanë, frikojuni Allahut, largojuni llomotitjes dhe injorantëve dhe frikojuni të metave të gjuhës. Atij që i shpeshtohen gabimet e saj i shtohen mëkatet e atij që i shtohen mëkatet zjarri është më meritor për të, ashtu siç tha Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të. Vërtet robi e thotë një fjalë të cilës nuk i jep rëndësi fare dhe për shkak saj hidhet në zjarr të Xhehenemit nga një largësi sa lindja e perëndimi, ashtu siç na njoftoi i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam.

    O besimtarë!

    Allahu i Lartësuar na porositi: O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore”. (El-Ahzab: 70-71)

    E lus Allahun të na bëjë dobi mua dhe juve me udhëzimin e Kur’anit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

    Vëllezër muslimanë!

    Frikojuni Allahut, ruani gjymtyrët e juaja dhe mbroni veten prej çdo fjale dhe vepre të keqe. Dijeni se patjetër duhet të dallojmë mes fshehjes prej mendjehollëve dhe largimit prej të paditurve dhe mes kërkimit të vërtetës dhe kundërshtimit të atyre që e pasojnë të kotën.

    Me fshehje dhe largim nënkuptojmë të frenuarit e vetes prej provokimeve të injorantëve dhe prej gjërave që e shkaktojnë zemërimin dhe urrejtjen. Kurse me kërkim të vërtetës dhe me kundërshtim të atyre që e pasojnë të kotën nënkuptojmë thirrjen për në rrugë të Allahut me urtësi e këshillë të mirë dhe polemika me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira, pastaj paraqitjen e krenarisë të pasuesve të vërtetës dhe largimin e budallallëkut dhe idiotizmit. Ky lloji i fundit është kapitull i gjerë ku në të përfshihet thirrja në të mirë dhe ndalimi prej të keqes, mësimi i injorantit, tërheqja e vërejtjes së të shkujdesurit, thirrja për në rrugë të Allahut, përmendja e Tij, falënderimi i Tij, dhe për këto të gjitha Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh”. (En-Nisa: 114)

    Allahu i Lartësuar po ashtu thotë: Allahu nuk do që të thuhen hapur fjalë të këqija, përveçse nga të dëmtuarit. Allahu dëgjon dhe di gjithçka. Në qoftë se ju bëni ndonjë vepër të mirë haptazi ose fshehurazi ose falni ndonjë vepër të keqe, Allahu është Falës i madh dhe i Plotfuqishëm”. (En-Nisa: 148-149)

    O muslimanë, patjetër e kemi që t’ua tërheqim vërejtjen edhe për një çështje tjetër me rëndësi. Ajo është se muslimani detyrohet që kur t’i bashkëngjitet ndonjë mexhlisi mos të harrojë ta përmend Allahun. I Dërguari i juaj i Allahut, alejhi salatu ue selem, thotë: “Nuk ka popull i cili ngrihet prej një mexhlisi ku nuk përmendet Allahu, vetëm se i përngjajnë cofëtinave të gomarit dhe për ata ky mexhlis do të jetë humbje në Ditën e Kiametit”.

    Me një transmetim tjetër: Çdo popull që tubohet në një vend, e pastaj ngrihet prej tij duke mos e përmendur Allahun, kjo do të jetë hidhërim për ta në Ditën e Gjykimit

    Këto mexhlise janë shkak për faljen e mëkateve, ashtu siç na njoftoi i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem: Kush rri në tubim ku shpeshtohen gabimet, pastaj para se të ngrihet thotë lutjen: Subhaneke Allahume ue bi hamdike esh-hedu en la ilahe il-la ente estagfiruke ue etubu ilejke, i falen gabimet e atij tubimi.”

    Dr. Salih El Humejd      

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU   

     

  • PESË FATKEQËSITË E MËDHA

    PESË FATKEQËSITË E MËDHA

    O muslimanë, ju porosis juve dhe veten me devotshmëri ndaj Allahut: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore”. (El-Ahzab: 70-71)

    O muslimanë, në vazhdim do të flasim për një hadith të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, një hadith madhështor në të cilin ka paralajmërim të vërtetuar dhe nxitje të fortë për të larguar nga shkaqet e çrregullimit në tokë dhe njerëz:

    Nga Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u kthye drejtë nesh dhe tha: “O emigruesit në rrugë të Allahut! Janë pesë gjëra për të cilat lus Allahun të mos sprovoheni me to, e të mos i arrini ato. Nuk është përhapur imoraliteti në ndonjë popull derisa ta shfaqin haptazi, e të mos përhapen në mesin e tyre murtaja (sëmundjet ngjitëse) dhe sëmundje të tjera të cilat nuk kanë ekzistuar te paraardhësit e tyre. Nuk peshojnë dhe matin mangët, vetëm se do të ndëshkohen me varfëri, skamje dhe tirani të sundimtarëve (sulltanëve). Nuk e ndërpresin dhënien e zekatit, vetëm se do t’u ndërpritet rënia e shiut, saqë sikur të mos ishte shkaku i kafshëve nuk do të binte asnjë pikë. Nuk e thyejnë premtimin e dhënë Allahut dhe premtimin e dhënë të Dërguarit të Tij, vetëm se Allahu atyre do t’u përcaktojë një armik të jashtëm i cili do ua marr disa prej të mirave që i posedojnë. Dhe nuk gjykojnë prijësit e tyre me ligj tjetër përveç Librit të Allahut, si dhe nuk zgjedhin gjykime të tjera përveç asaj që ka përcaktuar Ai, vetëm se Allahu do t’i përçajë dhe do ua shtojë urrejtjen mes vete”.

    Ky hadith ia qartëson Umetit se esenca e çdo çrregullimi është largimi nga rruga e Allahut dhe devijimi nga udhëzimi i të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. S’ka dyshim se gjynahet dhe të ligat janë esenca e çdo belaje dhe e çdo fatkeqësie dhe shkaktare e çdo dëmi dhe problemi: Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë”. (Esh-Shura: 30)

    Gjendja aktuale e përbuzur e muslimanëve na bën të ndalemi para këtij hadithi madhështor dhe ta përsiatim dhe në fund të dalim me tri konkludime:

    Konkludimi i parë: Ta dimë se përhapja e sëmundjeve ngjitëse shkatërruese dhe të sëmurit e njerëzve me sëmundje të panjohura, vjen nga përhapja e fëlliqësirave në mesin e njerëzve dhe nga përhapja e tepërt e imoralitetit dhe homoseksualizmit dhe përhapja e mjeteve dhe thirrjeve në të, nëpërmjet mjeteve të ndryshme informative.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur te një popull përhapen gjynahet dhe mëkatet dhe numri i mëkatarëve është më i vogël se sa i popullit ku jetojnë dhe të tjerët nuk marrin masa për ta ndryshuar gjendjen, ka shumë mundësi që Allahu ta dënojë atë popull në tërësi”.

    Në një hadith tjetër përcillet: “Umeti im vazhdon të jetojë në mirësi derisa nuk përhapet në mesin e tyre fëmija i imoralitetit dhe kur përhapet ky gjynah në mesin e tyre atëherë ka mundësi që Allahu ta dënojë atë popull në tërësi”.

    Nga transmetimi i Ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcillet se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Nuk është përhapur imoraliteti te një popull vetëm se në mesin e tyre është përhapur vdekja”.

    Konkludimi i dytë: Ngrënia e pasurisë haram dhe lëshimi pe në këtë çështje për sa i përket ngrënies së pasurisë në të kotë, të vjedhurit dhe pakësimi në peshore, tradhtia, mashtrimet e të gjitha llojeve dhe formave, janë shkaqe e gjendjes aktuale të muslimanëve: “Mos ia merrni pasurinë njëri-tjetrit padrejtësisht”. (El-Bekare: 188)

    Nga lloji më i rëndë i pakësimit dhe vjedhjes në vagë nga të cilat na vijnë edhe këto bela është ngrënia e pasurisë së përgjithshme të muslimanëve, shfrytëzimi i autoritetit për të arritur deri te grabitja e pasurisë së muslimanëve, përdorimi i pozitave për të përfituar projekte joligjore, e të mos flasim për ryshfetin me të gjitha format e tij.

    Kjo e tëra nëse përhapet në tokat e muslimanëve bëhet shkak për paraqitjen e çrregullimeve dhe ardhjen e belave dhe fatkeqësive, edhe atë jo vetëm se mbi individin mëkatar, po edhe mbi shoqërinë në tërësi.

    Kur njerëzit largohen nga dispozitat e Islamit sa i përket përfitimit të pasurisë dhe largohen nga sistemi i Kur’anit dhe Sunetit, u ngushtohet jeta dhe u vijnë dëme të llojeve të ndryshme, nga pakësimi i shiut, përfshirja e cikloneve, humbja e bereqetit, rritja e çmimeve, përhapja e varfërisë, e të mos flasim për përhapjen e padrejtësisë në tokat e muslimanëve dhe shtypjet që u bëhen. Shpërblimi vjen sipas llojit të veprës.

    Kur njerëzit përqendrohen mes tyre në marrëdhëniet e shitblerjes dhe sistemit bankar sipas asaj që e ka ligjësuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, Allahu ua bën atyre që në çdo vështirësi të gjejnë zgjidhje e rrugëdalje dhe t’i furnizon nga nuk e presin: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret”. (Et-Talak: 2-3)

    Konkludimi i tretë: Shteti islam e ka për detyrë t’i praktikojë dispozitat e dy shpalljeve (Kur’anit dhe Sunetit) në të gjitha sferat jetësore dhe në të gjitha çështjet, kurse nga njerëzit kërkohet që dispozitat e Islamit të jenë kushtetuta e tyre në të gjitha çështjet jetësore, të voglat dhe të mëdhatë, atëherë do të përfshihen nga siguria dhe paqja, rehatia dhe jetesa e mirë. Sipas sasisë së largimit nga rruga e sheriatit u vijnë edhe belat e fatkeqësitë dhe krizat e padrejtësitë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër”. (Ta Ha: 124)

    Shtetet islame kur shmangen nga të praktikuarit e ligjeve të Allahut tërësisht apo pjesërisht, goditen me varfëri dhe u vijnë bela dhe sprova. Gjendja aktuale e mjerë e muslimanëve dhe e shteteve islame, ku muslimanët janë sprovuar në fenë e tyre dhe në trupat e tyre, u cenohen të drejtat e tyre, u cenohet gjaku dhe nderi, pasuria dhe siguria, vjen si pasojë e gjykimit me ligje të aplikuara nga vet njerëzit, e jo me ligjet të cilin i ka zbritur Allahu. Kjo është bërë sebep që të përhapet padrejtësia në tokë dhe në mesin e njerëzve dhe të shtohet çrregullimi dhe të shtohet urrejtja mes udhëheqësit dhe parisë së tij dhe të humbet tek njerëzit kuptimi i hadithit të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Udhëheqësit më të mirë janë ata të cilët i doni dhe ju duan, luteni për ta dhe luten për ju. Kurse udhëheqësit më të keq janë ata të cilët i urreni dhe ju urrejnë dhe i mallkoni dhe ju mallkojnë”.

    O njerëz që logjikoni të çdo shteti islam, në çdo shtet musliman ku ka kryengritje dhe orvatje për ta ndryshuar sistemin gjykues të padrejtë, dijeni se duhet të kapeni për Kur’anin dhe Sunetin se përndryshe nuk do t’i arrini qëllimet e juaja dhe çrregullimet nuk do të largohen dhe përmirësimi nuk do të vjen. Më e keqja është se Allahu do të bëjë që të përhapet e liga dhe të përdoret forca mes jush, ashtu si edhe e sqaron ky hadith madhështor: “Përderisa udhëheqësit e juaj nuk gjykojnë me ligjet e Allahut dhe zgjedhin nga ajo që e ka zbritur Allahu, Allahu do ta përhap të ligën dhe do të bëjë të përdorni forcën mes jush”.

    O muslimanë, pse nuk po gjykoni me librin e Allahut? Pse nuk po kapeni për traditën dhe udhëzimin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të? A nuk u mor besa nga ju se do të kapeni për Kur’anin dhe të udhëzoheni sipas traditës së Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të?! Atëherë pse ikni në të majtën dhe në të djathtë?! Ju do të bëheni shkak që vendet e juaja të varfërohen dhe të sprovohen me sëmundje dhe me çrregullime! Për këtë arsye kapuni për litarin e Allahut dhe nënshtrojuni ligjeve të Tij dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

    Kurse juve që Allahu ju begatoi me vende ku në to gjykohet me ligjin e Allahut, kapuni për të fortë dhe mos e humbni dhe mos lakoni në të majtën dhe në të djathtën nga kjo rrugë madhështore. Allahu nuk e ndryshon një begati derisa ata e ndryshojnë vetë gjendjen e tyre dhe largohen nga ajo begati.

    O muslimanë, ekspertët botërorë janë të një mendimi se tokat muslimane janë ndër më të pasurat në dynja, në mirësitë e saj dhe në thesaret e saj të brendshme dhe të jashtme dhe në pozitën e tyre gjeostrategjike, mirëpo edhe përskaj këtyre fakteve ato kanë mbetur ndër më të varfrat në mesin e vendeve tjera, e të mos flasim për përhapjen e varfërisë dhe papunësisë në ato shtete. Atëherë pse kjo e tëra?!

    Ky prodhim vjen si shkak i largimit të njerëzve dhe qeverive nga rruga e Islamit, ashtu edhe siç ceket në hadith: “Përderisa udhëheqësit e juaj nuk gjykojnë me ligjet e Allahut, në mesin e juaj do të përhapet varfëria”.

    Le ta dinë të gjithë ata që thirrin në hyrjen e bazave ekonomike perëndimore nëpër tokat muslimane, të cilat baza bien ndesh me mësimet e Kur’anit sa i përket ekonomisë islame, se ata muslimanët janë duke i drejtuar drejt një shkatërrimi të madh, ku përfundimin e saj nuk e di se si do të jetë përveç Allahut.

    Nga belatë më të mëdha dhe nga sherret dominuese është sprova e Umetit me njerëz që muslimanët i nxisin të kapen pas kulturave të huaja e të kota. Ka nga pjesëtarët e këtij Umeti që i mohojnë disa nga dispozitat, kurse disa të tjerë e shohin se duhet të merren vetëm se dispozitat e adhurimeve dhe të largojnë Islamin si sistem gjykimi dhe metodologji jetësore. Me këta njerëz Umeti është dobësuar dhe poshtëruar dhe nënçmuar.

    Patjetër duhet të luftohen këto ideologji dhe patjetër të ketë bashkëpunim mes muslimanëve me qëllim që të dominojnë ligjet dhe dispozitat e Islamit dhe me këtë të shpëtojë umeti nga çdo çrregullim dhe fatkeqësi.

    Shejh Husejn Ali Shejh

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • LEXIMI I KURANIT

    LEXIMI I KURANIT

    O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe përkujdesuni për librin e Allahut. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë”. (Fatir: 30)

    Othman ibën Afani, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Më i miri i nga ju (muslimanët) është ai që e mëson Kur’anin vet dhe ua mëson atë edhe të tjerëve”.

    Aishja, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Ai që lexon Kur’an bukur do të jetë në shoqëri të shkruesve (engjëjve) të ndershëm, ndërsa kush e lexon duke hasur në vështirësi, do të ketë shpërblim të dyfishuar.”

    Ebu Umameh, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, duke thënë: “Lexojeni Kur’anin, ngase ai do të ndërmjetësojë në Ditën e Kiametit për ata që e lexojnë”.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ulet një popull në një mexhlis ku përmendet Allahu, përveçse i mbulon mëshira e Allahut, i rrethojnë melekët dhe Allahu i përmend në mesin e atyre që janë tek Ai”.

    Këto citate nga Kur’ani dhe Suneti, të gjitha ju nxisin në mësimin e Kur’anit, dhe të vepruarit me të, dhe leximin e tij, ngase Kur’ani është burimi i lumturisë së juaj, shpëtues nga sprovat, në të janë lajmet e të parëve dhe njoftim për atë që do të ndodh më vonë. Kur’ani është gjykues në mesin e juaj, kush e braktis nga kryelartësia Allahu ia thyen qafën dhe kush kërkon udhëzim jashtë Kur’anit, Allahu e devijon. Kur’ani është litari i Allahut i fortë, rruga e drejtë, shpirtrat e ligë s’kanë mundësi ta ndryshojnë dhe dijetarët nuk ngopen nga ai. Është përplot mrekulli, kush flet me të e thotë të vërtetën, kush punon me të shpërblehet, kush gjykon me të është i drejtë, kush thërret në të udhëzohet në rrugë të drejtë. Për këto arsye mësojeni dhe lexoni dhe përsiatni ajetet e tij. Mësojani fëmijëve të juaj dhe rritni me leximin e tij, dhe bëjani të dashur librin e Allahut, derisa të lidhen për të dhe tua përmirësojë moralin e tyre, dhe pastron shpirtrat e tyre, dhe të bëhen nga bartësit e Kur’anit dhe lexuesit e tij, sepse fëmija kur e mëson Kur’anin në fëmijëri, më vonë do ta dinë se çka lexon në namazin e tij. Mësimi i Kur’anit në fëmijëri është shumë më i mirë, se sa të mësohet kur të rritet, sepse më shumë përforcohet në mendje dhe mësimin e tij përmendësh e ka më të fortë.

    Shumica e njerëzve në këto ditë janë larguar nga mësimi i Kur’anit. Të mëdhenjtë janë preokupuar me dynja, të vegjlit janë preokupuar me mësimet shkollore, kurse kohën e lirë e kalojnë nëpër rrugë duke lozur. Kjo i bëri që të largohen nga Kur’ani dhe mos ta njohin, madje të ketë edhe nga ata që e kryen edhe fakultetin nuk dinë ta lexojnë një ajet si duhet. Madje më e çuditshmja është se plot nga xhamitë nuk kanë imamë, ngase njerëzit nuk do t’u lexohet Kur’an tepër në namaz dhe imami ta zgjat namazin. Sebepi i gjithë këtij problemi qëndron në papërgjegjësinë e prindërve ndaj fëmijëve të tyre dhe pakujdesia e tyre për sa i përket Kur’anit. Kjo bëri që Kur’ani të braktiset nga shumë muslimanë dhe nga kjo u ankua i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur tha: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kur’anin, si (diçka) të urryer”. (El-Furkan: 30)

    Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nga shpërfillja e Kur’anit është braktisja e meditimit të tij dhe të kuptimit të tij dhe lënia e të vepruarit me të. Po ashtu dëgjimi i poezive, muzikës, thënieve apo marrja me dëfrime, duke e zëvendësuar Kur’anin me to, është nga shpërfillja e tij”.

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Shpërfillja e Kur’anit është shumë llojesh:

    E para: Braktisja e dëgjimit të tij dhe besimit në të.

    E dyta: Braktisja e punës me të, edhe nëse e lexon dhe i beson atij.

    E treta: Braktisja e gjykimit me të në bazat e fesë dhe në degët e tij.

    E katërta: Braktisja e meditimit të tij dhe kuptimit të tij dhe atë që ka dashur Allahu të na e dërgon si mesazh në të.

    E pesta: Braktisja e kërkimit të shërimit me të dhe kurimi me të.

    Këto të gjitha hyn në ajetin: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kur’anin, si (diçka) të urryer”. (El-Furkan: 30)

    Përcillet në një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Kam frikë se do të vijnë kohëra kur prej Islamit do të mbetet vetëm emri, e prej Kur’anit vetëm shkronjat”.

    E domosdoshme është të mësohet Kur’ani dhe ai të merret nga mësues të mirë që e njohin leximin e tij. Nuk mjafton të lexohet apo të mësohet vet, po më së miri është të lexohet dhe të nxihet përmendësh duke e përsëritur para tjetrit. Pra patjetër për atë që dëshiron ta mësojë Kur’anin dhe t’ua mësojë fëmijëve të tij, të zgjedh një lexues të mirë dhe të mësojë tek ai, duke e mësuar leximin dhe rregullat e tij. Kujdesi për Kur’an duhet të jetë prioriteti kryesor i muslimanit.

    Kush e mëson Kur’anin, le të përkujdeset për të, le ta lexojë më tepër dhe le të tentojë ta kuptojë qëllimin e ajeteve, duke qenë i përulur dhe me frikë respekt. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e lexon një shkronjë nga Libri i Allahut (Kur’ani), do të ketë shpërblim, e shpërblimi do të dhjetëfishohet. Unë nuk them që ‘Elif Lam Mim’ është një harf – shkronjë, por, ‘Elif’ është harf, ‘Lam’ është harf dhe ‘Mim’ është harf”.

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Meditoje mesazhin e Kur’anit dhe do të gjesh se ka Sundues të tij. Sundues ku i tërë sundimi është i Tij, i tërë falënderimi i takon vetëm se Atij, dhe të gjitha çështjet janë në dorën e Tij. Allahu në Kur’an i këshillon robërit e Tij dhe i drejton kah ajo që ua jep lumturinë dhe shpëtimin, i nxit në të dhe i paralajmëron nga ajo që i shkatërron. Ua mëson atyre emrat dhe cilësitë e Tij dhe ua bën të dashur begatitë e Tij, dhe ua rikujton begatitë e Tij mbi ta i urdhëron që t’u nënshtrohen urdhrave të Tij, ua rikujton begatitë që i presin nëse i nënshtrohen dhe ua rikujton dënimin që i pret nëse i bëjnë gjynah dhe nuk i nënshtrohen. I lajmëron për atë se çka vepron me miqtë dhe armiqtë e Tij, se si do të jetë përfundimi i dyja palëve, sjell shembuj dhe argumentet i sjell të llojllojshme, thërret për në Xhenet dhe i përmend bukuritë dhe cilësitë e saj. Paralajmëron nga Xhehenemi dhe ua rikujton dënimin e rreptë dhe dhembjet në të. E përmend nevojën e robërve për Të dhe se ata nuk munden pa Allahun, as sa mbyll e hapë sytë. Kur’ani është libër që ta rikujton Allahun dhe për këtë arsye muslimani duhet të përkujdeset ta mësojë dhe të shpeshtojë leximin e tij, ngase Kur’ani është dritë, shërim, mëshirë, shpirt, udhëzim, dallues i të kotës dhe të vërtetës, dhe argument, dhe gjykues. (shkurtimisht dhe me kuptim).

    Nga muslimani kërkohet ta lexojë Kur’anin sipas gjendjes së tij, në kufi të mundësive të veta. Nëse di të lexojë mirë, kjo është edhe më e mirë dhe më e përsosur. E nëse nuk di mirë të lexon, e lexon sipas mundësive të veta. Ka ardhur në një hadith: “Ai që lexon Kur’an bukur do të jetë në shoqëri të shkruesve (engjëjve) të ndershëm, ndërsa kush e lexon duke hasur në vështirësi, do të ketë shpërblim të dyfishuar”.

    Për këtë arsye muslimani duhet të bëjë përpjekje që ta përmirësojë leximin e tij para atij që di më mirë se ai vetë të lexojë. Nuk duhet ta merr si argument faktin se nuk di të lexojë mirë dhe ta braktis leximin, ngase atëherë humb shumë mirësi dhe shpërblime. Le të lexojë ashtu si ka mundësi dhe sa ka mundësi të lexojë, e nëse e lexon krejt Kur’anin, atëherë kjo është më e mira dhe më e dashura.

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

  • EDUKIMI I FËMIJËVE

    EDUKIMI I FËMIJËVE

    1. Dhuntitë dhe mirësitë e Allahut për robërit e Vet janë aq shumë, saqë numri i tyre nuk mund të përkufizohet dhe të numërohet. Në to bën pjesë edhe dhuntia e fëmijës. Fëmijët janë dhuntia, dhurata dhe mirësia e madhe e Allahut për robin e Vet. Kjo e mirë e Allahut e meriton falënderimin, përkujdesjen dhe ruajtjen nga robi i Tij. Fëmijët janë fryti i zemrës, themeli i shtëpisë, stolia e jetës së dynjasë, ashtu siç Allahu thotë: “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote…” (El-Kehf: 46)

    Allahu në Kuran e përmend se nga lutjet e robërve të zgjedhur të Allahut është lutja: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (El-Furkan: 74)

    1. Islami fëmijës ia siguron të drejtat para lindjes së tij: fillimisht me zgjedhjen e nënës së ndershme, pastaj përkujdesja për të gjatë periudhës së shtatzënisë, përkujdesja për të drejtën e tij që të jetojë duke e ndaluar abortimin e tij gjatë fazës së shtatzënisë, lehtësimi i çështjes së agjërimit për gruan shtatzënë, ndëshkimi i mbytësit të tij duke e detyruar ta shpaguajë gjakun e tij etj.

    Pas lindjes: lumturia dhe gëzimi me daljen e tij në dynja, thirrja e ezanit në veshin e djathtë, pëlqehet t’i fërkohet lehtë qiellza e tij me hurmë, i jepet e drejta ta marrë mbiemrin e babait, zgjedhja e emrit të mirë për të, therja e akikës, qethja e flokëve të kokës së tij dhe dhënia lëmoshë në peshë të flokëve të tij, synetimi i tij, plotësimi i gjidhënies, përkujdesja për edukimin dhe rritjen e tij, shpenzimi për të, drejtësia në mes atij dhe vëllezërve të tij, përkujdesja për shëndetin e tij trupor dhe mendor. Po ashtu i garantohet e drejta e tij në trashëgimi, vasiet, dhuratë, vakëf etj.

    1. Fëmijët tanë janë amanet mbi supet tona, për ta do të merremi në llogari para Allahut.

    Allahu thotë: “O ju, që besoni! Ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Et-Tehrim: 6)

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Edhe ndaj fëmijës tënd ke hak (të drejta që bien mbi ty).”[1]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Secili prej jush jeni barinj dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e vet… Burri është bari i familjes së tij dhe përgjegjës për të, gruaja është bareshë e shtëpisë së saj dhe përgjegjëse për shtëpinë e burrit të saj dhe për fëmijët e saj.”[2]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu do ta pyesë çdo përgjegjës për kopenë që e ka pasur nën përgjegjësinë e tij, a e ka ruajtur apo e ka humbur, madje do të pyetet edhe njeriu për anëtarët e familjes së tij.”[3]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdonjërin që Allahu e ngarkon me përgjegjësi për ndonjë grup njerëzish, ndërsa ai e tradhton amanetin e tij (nuk ja jep hakun parisë së tij) dhe vdes në këtë gjendje, Allahu ia ndalon atij Xhenetin.”[4]

    1. Çdo mysliman për fëmijët e tij duhet ta ketë frikë Allahun, duke i drejtuar dhe përkrahur ata për në mirësi, duke i larguar nga sherri, shthurja dhe e liga, si dhe duke ua mbyllur çdo rrugë që i çon drejt mëkateve dhe gjynaheve.
    2. Edukimi i fëmijëve fillon me zgjedhjen e bashkëshortes së ndershme. Fëmijët e kanë atë të drejtë, që nëna e tyre të jetë e ndershme. Nëna është medrese që prej saj dalin breza.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “…Zgjedhe për grua atë që është me fe, të lumshin duart.”[5]

    E ka thënë të vërtetën poeti:

    Nëna është medrese, nëse e përgatit atë si duhet (d.m.th. e zgjedh si duhet),

    ajo do ta përgatitë një popull me rrënjë të mira.

    1. Edhe babai edhe nëna e kanë për detyrë që fëmijën ta edukojnë, ta rrisin me virtyte të larta dhe me moral të lavdëruar sipas Kuranit dhe Sunetit të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Fëmija duhet të edukohet në fushën e imanit, ibadetit, moralit, psikikës, shëndetit, gjendjes shpirtërore dhe asaj shoqërore të tij. Atë duhet ta marrësh për dore (ta përkrahësh) në rrugën e stabilitetit në fe, që ta fitojë Xhenetin dhe të shpëtojë nga Xhehenemi, ashtu siç Allahu thotë: “O ju, që besoni! Ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Et-Tehrim: 6); që do të thotë: urdhëroje familjen për të mirë dhe ndaloje nga e keqja, edukoje dhe mësoja Islamin, kështu i ruan nga zjarri i Xhehenemit.[6]
    2. Dijetarët kanë thënë: “Fëmija është amanet te prindërit. Zemra e tij e pastër është gur i çmuar, e shtrenjtë, e pafajshme, pa asnjë njollë dhe gjurmë. Ajo ka aftësi të pranojë çdo gjë dhe të anojë kah çdo gjë që anon kah ajo.

    Nëse ajo kalitet me mirësi dhe i mësohet e mira, fëmija do të rritet me atë mirësi dhe do të lumturohet në dynja dhe ahiret. Në shpërblim do të jetë pjesëmarrës edhe prindi, çdo mësues dhe edukator i tij.

    A nëse ajo kalitet me sherr dhe i mësohet e keqja, lihet anash sikurse të jetë kafshë, ai do të jetojë fatkeq dhe do të shkatërrohet. Faji dhe përgjegjësia do të bjerë mbi supet e tij dhe mbi supet e përgjegjësit dhe edukatorit të tij.

    Sado që prindi të mundohet ta ruajë fëmijën nga zjarri i dynjasë, ruajtja dhe mbrojtja e tij nga zjarri i ahiretit duhet të jetë prioriteti dhe synimi kryesor.”[7]

    Të mësuarit e fëmijës në fëmijëri është si skalitja mbi gurë, siç u tha në këto vargje:

    Degët kur i bën drejt, ato drejtohen,

    ndërsa kur bëhet dru, ai më nuk zbutet,

    edhe edukata i bën dobi fëmijës kur është i vogël,

    por nuk i bën dobi edukata atij kur të rritet.

    1. Prindi duhet t’i edukojë fëmijët e tij me edukatë imanore, t’ua mësojë teuhidin (njësimin e Allahut), siç Allahu thotë: “(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.” (Lukman: 13)

    Ibrahim Et-Tejmi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “E pëlqenin që fëmijës t’ia mësonin namazin dhe fjalët  ‘la ilahe il-lallah’ të ishin fjalët e para që i shqipton duke i përsëritur ato shtatë herë.”[8]

    1. Fëmija duhet që të edukohet dhe të mësohet ta lidhë zemrën me Allahun, të kërkojë ndihmë nga Allahu, t’i mbështetet Atij, t’i bindet Atij dhe të besojë në përcaktimet e Allahut.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e porositi Abdullah ibën Abasin, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili ishte fëmijë i vogël, duke i thënë: “O djalosh! Do të t’i mësoj disa fjalë: Ruaje Allahun, Allahu do të të ruajë ty, Ruaje Allahun, që Allahun ta kesh çdoherë pranë teje. Kur të lypësh, lyp nga Allahu. Kur të kërkosh ndihmë, kërko ndihmë nga Allahu. Dije se, poqë krejt umeti bashkohen që të ta bëjnë një të mirë, nuk do të mund të të bëjnë mirë, përveç asaj që Allahu e ka caktuar për ty. Nëse ata bashkohen që të të bëjnë dëm diçka, nuk do të mund të të bëjnë dëm, përveç asaj që Allahu e ka caktuar për ty. Lapsat janë ngritur dhe fletushkat janë tharë.”[9]

    1. Fëmijës duhet t’i mbillet dashuria për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dashuria për sahabët dhe për të parët tanë të mirë, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. Ai duhet të mësohet t’i respektojë, nderojë e t’i njohë vlerat e tyre. Po ashtu duhet t’i lexohet dhe mësohet biografia e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, betejat, gjendjet dhe fjalët e tij. Ai është shëmbëlltyra jonë më e mirë në çdo kohë.

    Imami Malik ibën Enes, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Të parët tanë të mirë i mësonin fëmijët që ta donin Ebu Bekrin dhe Omerin, siç i mësonin suret e Kuranit.”[10]

    Alij ibën El-Husejn, Allahu e mëshiroftë, thotë: “I mësonim betejat dhe luftërat e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, sikur që i mësonim suret e Kuranit.”[11]

    Ismail ibën Muhamed ibën Sad ibën Ebi Vekas, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Babai na i mësonte betejat e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe na i renditte ato. Na thoshte: ‘O bijtë e mi, këta janë heroizmat e baballarëve tuaj, mos harroni që t’i kujtoni’.”[12]

    1. Prindi duhet ta mësojë fëmijën ta falë namazin prej fëmijërisë. Ai duhet ta urdhërojë ta falë atë kur t’i mbushë të shtatat, ta rrahë lehtë kur t’i mbushë të dhjetat, bazuar në hadithin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili thotë: “Urdhëroni fëmijët tuaj me namaz kur të jenë shtatë vjeç, rrihni (lehtë), nëse nuk falen kur të jenë dhjetë vjeç dhe ndani ata nga shtrati.”[13]
    2. Fëmija është mirë të edukohet të agjërojë prej fëmijërisë, të marrë pjesë në projektin e dhënies iftar agjëruesit, të nxitet që të japë lëmoshë në Ramazan dhe të kalitet për faljen e namazit të teravive. Për mundin që e bëjnë është mirë t’u jepet kurajo dhe të shpërblehen me gjërat që i kanë për qejfi.

    Er-Rubejia bint Muavidh, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, për agjërimin e ditës së Ashurës, e cila ishte obligim të agjërohet para se të obligohej agjërimi i Ramazanit, tha: “Agjëronim ditën e Ashurës dhe i nxisnim edhe fëmijët që ta agjëronin. Atyre u bënim lodra nga leshi dhe kur qante ndonjëri prej tyre nga uria, u jepnim lodrat derisa vinte koha e iftarit.”[14]

    1. Fëmijës prej vogëlisë duhet që shkallë-shkallë t’i mësohet hallalli dhe harami. Ai, edhe pse është fëmijë, mund ta kuptojë dhe ta perceptojë hallallin dhe haramin, nëse ato i sqarohen mirë.

    Kur e mori Hasan ibën Alij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, një hurmë që ishte sadaka dhe e futi në gojë, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Kih, kih[15]”; që ta hedhë hurmën prej gojës. Pastaj i tha: “A harrove që ne nuk e hamë sadakanë.”[16]

    1. Prindi duhet që të kujdeset t’ia mësojë fëmijës dhe familjes së tij dhikrin e mëngjesit dhe mbrëmjes, t’u lexojë disa hadithe të shkurta gjithëpërfshirëse nga fjalët e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të cilat përshtaten me moshën e tyre. Mirë është që herë pas here ato t’i përsërisin bashkërisht, si dhe t’u japë shpërblime për mësimin e tyre. Kjo është kalitje për ta si të jetojnë me Allahun, me traditën profetike dhe me Islamin.
    2. Prindi duhet që fëmijëve t’ua mësojë moralin:

    – Moralin me Allahun: duke e ngjallur natyrshmërinë në shpirtin e fëmijës, me njohjen e begative të Allahut, me vetëdijesimin se Allahu na mbikëqyr.

    – Moralin me të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: duke ia mbjell dashurinë dhe respektin për të, ndjekjen e rrugës së tij, mësimin e betejave dhe jetëpërshkrimin e tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.

    – Moralin me veten dhe me të tjerët: duke ia mësuar turpin, sjelljen e mirë, respektimin e prindërve, respektimin e farefisit, ruajtjen e gjuhës, sinqeritetin, bujarinë, amanetin, sistematizimin në jetë, bartjen e përgjegjësive etj.

    – T’i paralajmërojë nga morali i keq: duke i paralajmëruar nga koprracia, gënjeshtra, vjedhja, mendjemadhësia, të fëlliqurit e gjuhës, shpenzimi i tepërt, spiunimi, zilia, tradhtia etj.

    – T’ia mësojë etikën e sjelljes së përgjithshme: etikën e kryerjes së nevojës fiziologjike, kujdesin për mirëqenien fizike, etikën e pastërtisë, etikën e ngrënies dhe pirjes, etikën e gjumit, etikën e veshjes, etikën e kërkimit të lejes, mbulimin e vendeve të turpshme, etikën e rrugës, etikën e teshtitjes dhe gogësimës etj.

    1. Prindi duhet që fëmijën ta edukojë me virtyte dhe ambicie të larta, ta mësojë që të mos e përbuzë veten, t’ia mbjellë kuptimet e burrërisë që prej fëmijërisë, dhe ndërkohë ta nxitë atë në mënyra të ndryshme që të arrijë deri te qëllimi.

    Përcillet për Hind bint Utbe se ia mësonte kërcimin djalit të saj Muavijës, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur ishte i vogël, dhe thoshte:

    Nëse mendimi im del të jetë i drejtë për këtë djalë,

    ai ka për ta udhëhequr fisin Kurejsh sikur babai im.[17]

    Kur e pa atë në vegjëli një mendjemprehtë nga arabët, tha: “Mendoj që ky fëmijë do ta udhëheqë popullin e vet.” Ndërsa nëna e Muavijës ia ktheu: “Mjerë për të, nëse e udhëheq veç popullin e tij.”[18]

    1. Talenti dhe aftësitë e fëmijës shfaqen në vitet e fëmijërisë.

    Dijetarët thonë: “Talenti i fëmijës shfaqet me vendimet dhe zgjedhjet e tij që ua bën gjërave të mëdha. Kur fëmijët mblidhen për të luajtur, ai që ka ambicie të larta thotë: ‘Kush do të jetë me mua?’; kurse ai që ka ambicie të ulëta thotë: ‘Me kë do të jem unë?’”[19]

    Kur Omeri e vërejti talentin e Ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, e mori në mexhlisin e tij bashkë me ata që kishin prezentuar në betejën e Bedrit[20], edhe pse Ibën Abasi ishte i vogël në moshë.

    Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kur e takonte birin e vet Salimin e puthte dhe i thoshte: “Dijetari po e puth dijetarin.”[21]

    Kjo na mëson që prindi të përkujdeset për fëmijët dhe të mundohet që t’i zbulojë aftësitë e tyre, sepse ndoshta ndonjëri prej tyre nesër mund që të jetë dijetar, ose që punon ta përmirësojë gjendjen e njerëzve, ose që nëpërmjet tij Allahu ta ngrejë fenë e Tij.

    1. Vajzave duhet t’u mësohet turpi dhe virtytshmëria, të cilat janë zbukurimi i gruas dhe bukuria e saj. Mbulesa për to është emblema e nderit, dinjitetit dhe virtytshmërisë. Prandaj, është mirë që gradualisht të kaliten që t’i mbulojnë pjesët e trupit dhe ta veshin mbulesën. Druri sa është i njomë mund të drejtohet, e kur të thahet dhe të bëhet i fortë, nuk mundet më të drejtohet, por veç të thyhet.
    2. Është tolerancë e keqe në edukatë që vajzat e vogla të vishen me rroba të shkurtra dhe të tejdukshme, gjysmë të zhveshura dhe të ngushta dhe të ketë lëshime në shpalosjen e pjesëve të turpshme të trupit. E sidomos ato që kanë filluar të rriten dhe tek ato të shfaqen shenjat e pubertetit, sepse kjo mund të bëhet shkak që pas tyre të lakmojë zemërsëmuri që nuk e bën dallimin e moshave, e vogël apo e madhe. Shtoja kësaj edhe simpatinë e vajzave për këto rroba, gjë që më vonë do ta vështirësojë përmirësimin e veshjes, nëse ato edukohen dhe mësohen që prej fëmijërisë të vishen me to.
    3. Prindi është përgjegjës për fëmijën e tij që ta mësojë ta zgjedhë shokun e mirë, i cili do ta ndihmojë atë në çështjet e fesë dhe dynjasë dhe ta mësojë t’i largohet shokut të keq. Po ashtu është përgjegjës që t’i verifikojë shokët e djemve dhe shoqet e vajzave të tij. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, andaj çdonjëri le të shikojë se kë e shoqëron.”[22]
    4. Sa vajza të ndershme e të pastra devijuan shkaku se familjet e tyre i anashkaluan ato në përzgjedhjen si dhe në verifikimin e shoqeve të tyre! Sa të rinj shkuan me shokë të këqij derisa ranë në krime dhe drogë! Parambrojtja është më e mirë sesa ilaçi.
    5. Stërvitja e fëmijës për ta zgjedhur shokun e mirë bëhet drejtpërdrejt duke i folur për moralin e mirë, duke e bërë shpjegimin e sjelljeve të ndryshme pozitive dhe ato negative, duke e paraqitur gëzimin me sjelljet e mira, dhe e kundërta, duke e paraqitur hidhërimin me sjelljet e këqija.
    6. Familja është faktori bazë për ndërtimin e sjelljes së fëmijës. Suksesi ose dështimi në edukimin e fëmijës varet nga përdorimi i mënyrave të edukimit. Nëse ato përdoren gabimisht, kjo çon deri në probleme psikike, shoqërore dhe irritim në personalitetin e tij. Po ashtu mosmarrëveshjet dhe grindjet në mes prindërve ndikojnë në shëndetin psikik të fëmijës, çojnë në çrregullimin dhe në shfaqjen e devijimit në sjellje dhe në personalitetin e tij.
    7. Familja luan rol të madh në zbulimin e talentit te fëmijët. Ata mund t’i dallojnë aftësitë dhe të talentuarit në mesin e tyre, e pastaj t’i nxisin që të avancohen, duke ua mundësuar mjetet dhe përkujdesjen e nevojshme për zhvillimin e aftësive dhe talentit të tyre.

    Sipas studimeve, 90% e fëmijëve deri në moshën pesëvjeçare janë talentë. Kjo përqindje zvogëlohet dukshëm deri në 10% në moshën shtatëvjeçare, ndërsa në moshën tetëvjeçare numri i tyre bie në 2%.

    Kështu që edukimi i gabuar e zvogëlon talentin dhe aftësitë, ndërsa nxitja dhe stimulimi i shtojnë ato.

    1. Thirrja e fëmijës me epitete të ndershme, si: luan, i sinqertë, e ndershme; është një nga mënyrat e nxitjes së fëmijëve. Pastaj lidhja e tyre me librarinë e shtëpisë, nxitja e tyre që të lexojnë dhe të hulumtojnë, organizimi i garave shtëpiake, marrja e mendimeve të tyre në disa raste etj.; edhe këto janë nga mënyrat e nxitjes së fëmijëve.
    2. Jeta shoqërore është shtyllë e rëndësishme dhe bazë në jetën e çdo njeriut. Periudha e fëmijërisë dhe vitet e para të jetës janë periudha më e rëndësishme e njeriut, në të përcaktohen vështrimet dhe tiparet e kësaj jete. Në këtë periudhë formohen themelet e çdo periudhe të jetës njerëzore, formohen shtyllat e personalitetit të tij, përcaktohen tiparet, tabiatet dhe karakteri i tij, që më vonë është e vështirë të ndryshohen, ashtu siç e thonë dijetarët e edukatës.
    3. Zotësia shoqërore është përmbledhje e një grupi të shkathtësive që fëmija i përdor për bashkëveprim dhe kontakt me të tjerët ose aftësia e tij për të bashkëjetuar dhe kontaktuar me ata që i ka përreth, me fjalë dhe me sjellje.
    4. Fëmija, shkathtësitë e tij shoqërore, fillon t’i përfitojë prej familjes gjatë bashkëveprimit të tij me prindërit dhe sjelljes së tyre me të, gjatë bashkëveprimit me vëllezërit e tij në shtëpi dhe gjatë bashkëveprimit me të tjerët që e rrethojnë.
    5. Kur fëmija posedon shkathtësi shoqërore, kjo i ndihmon në harmonizimin e raporteve me të tjerët për një kohë të gjatë, kurse mungesa e këtyre shkathtësive shkakton probleme psikike dhe morale, si dhe i jep prirje për të krijuar armiqësi në drejtim të të tjerëve.
    6. Prej shkathtësive shoqërore që kërkohen të mbillen dhe të zhvillohen te fëmija, përmendim:

    – Pritja dhe përcjellja e të tjerëve, bashkëndjenja me të tjerët, kuptimi i ndjenjave të tyre dhe të përgjigjurit në kërkesat e tyre, paraqitja e gëzimit me prezencën e të tjerëve, këmbimi i mendimeve me fëmijët, kontaktet pozitive me njerëzit, përdorimi i fjalëve të qarta të lehta për shprehje.

    – Falënderimi që fëmija ia bën shokut të vet, i cili ia ka bërë një të mirë atij, është shkathtësi shoqërore.

    – Kërkimi i faljes që fëmija ia bën shokut kur gabon ndaj tij, është shkathtësi shoqërore.

    – Interesimi i fëmijës për fëmijët e tjerë kur mungojnë në shkollë apo çerdhe, është shkathtësi shoqërore.

    – Përshëndetja e fëmijës që ia bën shokut të vet kur e takon, është shkathtësi shoqërore.

    – Bashkëndjenja e fëmijës me shokun e vet kur ai mërzitet ose frikësohet duke ia lehtësuar atij, ose pikëllimi i tij kur shoku pikëllohet, është shkathtësi shoqërore.

    1. Nga mjetet më të rëndësishme që i kultivojnë shkathtësitë shoqërore të fëmijës, theksojmë:

    – Rritja e mençurisë shoqërore te fëmija duke i ndihmuar atij me mundësinë që të lidhet me të tjerët, t’i kuptojë ndjenjat e tyre dhe t’u përgjigjet atyre nevojave.

    – Respektimi dhe aktivizimi i vetes, mbjellja e ndjenjës së krenarisë dhe vetëbesimit, edukimi i tij që t’i mbështetet vetes dhe të jetë i pavarur në kryerjen e nevojës së tij, në zgjedhjen e lojërave dhe rrobave të tij, në zgjidhjen e problemeve të tij me shokët, në angazhimin e tij të marrë pjesë në aktivitetet shtëpiake të lehta, si: përgatitja e sofrës, futjen e mbeturinave në qese etj.

    Po ashtu atij duhet t’i jepet mundësia që të marrë vendime dhe ta bartë përgjegjësinë e vendimmarrjes, dhe kohë pas kohe t’i thuhen fjalë nxitëse për vendimet e drejta që i merr.

    1. Nga shembujt që e paraqesin aktivizimin e vetëbesimit dhe përgjegjësisë në shpirtrat e fëmijëve është rasti kur Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ia tregoi një fshehtësi Enes ibën Malikut, që në atë kohë ishte fëmijë, dhe e dërgoi si të dërguar të veçantë në një mision të fshehtë.

    Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Duke lozur me fëmijët, m’u afrua Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, më dha selam dhe më dërgoi ta kryeja një nevojë. U ktheva vonë në shtëpi dhe nëna ime më tha: ‘Ku ishe o Enes, pse u vonove?’ I thashë: Më dërgoi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ta kryejë një punë. Më pyeti: ‘Çfarë punë ishte ajo?’ I thashë: Është fshehtësi. Pasi që i dëgjoi fjalët e mia më tha: ‘Mos i trego askujt për gjërat e fshehta që t’i tregon Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të’.”[23]

    Po ashtu rast tjetër:

    Ia sollën një pije Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe piu nga ajo. Në të djathtën e tij e kishte një djalosh, ndërsa në të majtën e tij ishin disa të moshuar. Djaloshit i tha: “A më jep leje që së pari t’u japë atyre të pinë?” Djaloshi ia ktheu: “Jo, pasha Allahun! Askujt nuk ia jap pasi që ti ke pirë i pari!” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ia dha pijen djaloshit në dorë.[24]

    1. Atë që Allahu e sprovoi me fëmijë me të meta fizike duhet të bëjë durim dhe të jetë i kënaqur me caktimin e Allahut. Për myslimanin të gjitha përcaktimet e Allahut janë të mira: “Është për t’u çuditur me çështjen e besimtarit. Në tërësi çështja e tij është hair dhe kjo është e veçantë për të. Kur i jepet një e mirë e falënderon Allahun dhe kjo është e mirë për të. Dhe kur e godet një fatkeqësi bën durim dhe kjo është e mirë për të.”[25]
    2. O ti baba i mëshirshëm dhe oj ti nënë e dashur, mos harroni se fëmija është juaji. E meta e tij fizike nuk ia pakëson atij vlerën dhe njerëzimin. Sa fëmija me të meta fizike janë bërë të dobishëm për botën me dijen dhe zbulimet e tij. Prandaj, mos e nënvlerësoni çështjen e fëmijës suaj.
    3. Është e rëndësishme që fëmija me të meta fizike të dërgohet në shkolla të posaçme për ta. Atje mësohet me planprograme mësimore të posaçme që i përshtaten nevojës dhe së metës fizike të fëmijës.
    4. Interneti, celulari, rrjetet sociale dhe teknologjia bashkëkohore janë shpatë me dy tehe. Është gabim i madh të mjaftojë mendimi që ato janë mjete prej mjeteve të argëtimit dhe dëfrimit për fëmijën. E kemi për obligim fetar mbikëqyrjen e vazhdueshme të fëmijës dhe të sjelljeve të tij, si dhe mbjelljen e vetëdijesimit në veten e fëmijës që Allahu e mbikëqyr atë.
    5. Prindi duhet që t’i përcjellë fëmijët se çfarë filma për fëmijë po shikojnë. Ai duhet që t’u zgjedhë fëmijëve filmat e vizatuar të përshtatshëm për moshën e tyre dhe që nuk përmbajnë ndalesa fetare. Ndërkohë u ofron edhe alternativë të përshtatshme, si: lodrat, shëtitjet në parqe dhe kopshte, angazhimin e tyre me gjëra të dobishme, pa e anashkaluar edhe ndejën e vazhdueshme me ta. Këto i plotësojnë nevojat e tyre shpirtërore dhe u japin alternativë të gjallë karshi zhytjes së tyre në botën e iluzioneve të filmave të vizatuar.
    6. Edukimi i fëmijëve kërkon sabër, këmbëngulje, përmbajtjen e vetes dhe para gjithash, duhet të kërkohet ndihma e Allahut në këtë proces.

    Ndëshkimi i fëmijëve nuk bëhet çdoherë me rrahje. Ndonjërit prej tyre i përshtatet shikimi me zemërim ose heshtja e befasishme nga të folurit.

    1. Sjellja me fëmijët në periudhën e adoleshencës nga prindërit kërkon urtësi dhe mençuri në ekuilibrin në mes përcjelljes së tij dhe respektimit të gjërave të tij personale, në mes të edukimit dhe mosakuzimit të tij, në mes të shpërfilljes, të këshillimit dhe të tërheqjes të vërejtjes së tij.

    Adoleshenti patjetër duhet të ndiejë që familja e tij e përcjellin atë dhe sjelljen e tij, dhe po në të njëjtën kohë, ai duhet patjetër të jetë i bindur që ata i besojnë sjelljeve të tij dhe nuk e akuzojnë, dhe se kjo përcjellje është për të mirën e tij, për ta ruajtur dhe mbrojtur e jo për ta qortuar atë.

    Prindi i mençur nuk ndërhyn në çdo detaj, nuk e bën fëmijën të ndiejë që ai e di çdo detaj për të, të vogël dhe të madh, sepse kjo çon deri në humbjen e personalitetit të tij në zemrën e fëmijës.

    1. Prindi është mirë që kur fëmija të tregojë sjellje të mirë, ta shpërblejë atë dhe ta lavdërojë për sjelljen e tij. Ndërsa kur të gabojë një herë, nuk e merr në llogari, a nëse i rikthehet gabimit, atëherë ia tërheq vërejtjen për gabimin e tij me butësi dhe dashuri.

    Një ndër gabimet e prindërve është që kur e kuptojnë që fëmija i tyre gabon, mundohen ta kapin duke e bërë gabimin!

    1. Nga sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet myslimani i cili jeton në vende jomyslimane është edukimi i fëmijëve me edukatë islame të drejtë, vetëdijesimi i tyre për rreziqet e mëdha që do të ballafaqohen në ato vende, qofshin ato rreziqe në besim, në moral, shoqërore, arsimore etj.
    2. Prindi i cili jeton në vende jomyslimane duhet që t’i edukojë fëmijët me akide (besim) të drejtë. Ajo është vaksina mbrojtëse nga rreziqet e dyshimeve dhe epsheve.
    3. Ai duhet t’i edukojë fëmijët e tij që të përkujdesen për pesë kohët e namazit me xhemat, ta shpeshtojnë përmendjen e Allahut dhe të kërkojnë ndihmë nga Allahu në të gjitha çështjet e tyre. Ai po ashtu duhet të interesohet dhe t’i përcjellë se a i kryejnë detyrimet fetare.
    4. Ai duhet t’i lidhë fëmijët me xhaminë dhe me qendrat islame të ngritura në atë vend. Ai njëherit duhet të kujdeset që vetë të jetë shëmbëlltyrë e mirë, duke e vepruar atë që fëmijëve ua mëson.
    5. Myslimani në vende jomyslimane është mirë të kujdeset për fëmijët që ta mësojnë gjuhën e tyre amtare, të dinë të flasin dhe të shkruajnë, të lidhen me traditat e popullit të vet që nuk bien ndesh me parimet fetare, si dhe t’i mësojnë shkronjat e Kuranit që ta lexojnë ashtu si ka zbritur.

    Prindi i mirë është që të organizojë ndeja me fëmijët për të lexuar Kuran dhe hadithe profetike.

    Prindërit duhet ta kuptojnë që ardhmëria e imanit të fëmijëve është në rrezik, nëse i largohen namazit, Kuranit dhe haditheve profetike.

    1. Me rëndësi për prindin në vende jomyslimane është të kujdeset se me kë po shoqërohet fëmija, të interesohet për shokët e tij, për besimin, moralin dhe sjelljen e tyre. Ai duhet që t’ia sqarojë fëmijës që lidhjet jashtëmartesore janë të ndaluara dhe ato sjellin vetëm destabilizim në jetë dhe në familje.
    2. Me rëndësi për prindin në vende jomyslimane është të kujdeset që fëmijët t’i dërgojë në shkolla islame, nëse ato gjenden e, nëse nuk ka, munden të mësojnë nëpërmjet internetit për fenë e tyre.
    3. Po ashtu me rëndësi për prindin në vende jomyslimane është përcjellja e përditshme e fëmijëve, në veçanti në periudhën e adoleshencës, të jetë syçelur derisa të rriten dhe ta kuptojnë bartjen e përgjegjësive, sepse ata jetojnë në një mes të huaj, të rrethuar me fitne, devijime shpirtërore dhe shoqërore.

     

    E lusim Allahun të na japë sukses që ta veprojmë atë që e Ai do dhe Atë e kënaq, si dhe të na bekojë në pasardhësit tanë.

    “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    [1] Muslimi (1159).

    [2] Buhariu (2409), Muslimi (1829).

    [3] Nesaiu në El-Kubra (9174), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të vërtetë.

    [4] Buhariu (7151), Muslimi (142).

    [5] Buhariu (5090), Muslimi (1466).

    [6] Tefsir El-Bagavij (8/169).

    [7] Ihja ulum ed-din, Imam Gazaliu (3/72).

    [8] Ibën Ebi Shejbe në El-Musanaf (3519).

    [9] Tirmidhiu (2516), shejh Albani e vlerësoi të saktë.

    [10] Usul Itikad ehlu suneti uel xhema’, Imam El-Lalekai (7/1313).

    [11] El-Xhamiu li ahlak er-ravij, Hatib El-Bagdadi (1591)

    [12] El-Xhamiu li ahlak er-ravij, Hatib El-Bagdadi (1590)

    [13] Ebu Davud (495), e saktësoi shejh Albani.

    [14] Buhariu (1960), Muslimi (1136).

    [15] Fjalë që i thuhet fëmijës që t’i largojë ose t’i hedhë gjërat e pista. (sh.p.)

    [16] Buhariu (1419), Muslimi (1069).

    [17] El-Ijal, Ibën Ebi Dunja (272).

    [18] Tarih Dimeshk, Ibën Asakir (59/65).

    [19] Tedhkiretul aba ue teslijetul ebna, Ibën El-Adim (fq. 30).

    [20] Buhariu (4970).

    [21] En-Nefekatu ala El-Ijal, Ibën Ebi Dunja (147).

    [22] Ebu Davudi (4833), Tirmidhiu (2378), hadithi është edhe në Es-Sahiha (927)

    [23] Muslimi (2472).

    [24] Buhariu (2451), Muslimi (2031).

    [25] Muslimi (2999).

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan Jahiu

    Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”

  • DHIKRI I MËNGJESIT DHE I MBRËMJES

    DHIKRI I MËNGJESIT DHE I MBRËMJES

    1. Dhikri (përmendja e Allahut) është jeta e zemrave, kënaqësia e syve, gëzimi i shpirtrave, shërim për gjokset dhe vepra më e madhe që me të ngjallen dhe bëhen të lumtur shpirtrat.

    Për zemrën përmendja e Allahut është si uji për peshkun dhe për ta kuptuar më mirë vlerën e dhikrit për zemrën, mendojeni se në çfarë gjendje mund të jetë peshku, nëse largohet nga uji!

    1. Jeta e besimtarit nuk bëhet e mirë, përveçse me përmendjen e Allahut. Zemra e shkujdesur që nuk e përmend Allahun është zemër e vdekur si dhe shtëpia ku në të nuk përmendet Allahu, është shtëpi e shkatërruar.

    Jeta dhe gjallëria e zemrave dhe ngritja e ndërtimi i vërtetë i shtëpive bëhet me përmendjen e Allahut, ndërsa vdekja e zemrave dhe prishja e shkatërrimi i vërtetë i shtëpive bëhet me braktisjen dhe neglizhimin e përmendjes së Allahut.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Shembulli i atij që e përmend Allahun dhe i atij që nuk e përmend Allahun është sikurse shembulli i të gjallit me të vdekurin.”[1]

    Me një transmetim tjetër: “Shembulli i shtëpisë ku në të përmendet Allahu dhe i shtëpisë ku në të nuk përmendet Allahu është sikurse shembulli i të gjallit me të vdekurin.”[2]

    1. Përmendja e Allahut është rehati dhe pastërti për zemrën, ashtu siç Allahu thotë: “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Er-Rad: 28)

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nuk ulet një popull në një tubim ku përmendet Allahu, përveçse i rrethojnë melekët, i mbulon mëshira e Allahut, zbret mbi ta qetësia dhe i përmend Allahu te banorët e qiejve (melekët).”[3]

    1. Ata që e përmendin Allahun, përveç të tjerash, u mjafton atyre si meritë që Allahu i përmend dhe i kujton, ashtu siç edhe thotë: “Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime) dhe falënderomëni Mua (duke M’u bindur) e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!” (El-Bekare: 152)

    Me një hadith kudsij (të shenjtë) Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, përcjell se Allahu thotë: “Nëse robi Im më përmend në veten e tij, Unë e kujtoj atë në Veten Time, e nëse më përmend në ndonjë grup, Unë e kujtoj atë para një grupi më të mirë se i tyre.”[4]

    E a ka nder dhe krenari më të madhe se Allahu të të përmendë dhe të të kujtojë?!

    Prandaj, edhe përcillet për Ebu Bekrin, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se thoshte: “I morën të gjitha mirësitë ata që e përmendin Allahun.”[5]

    1. Nga vlera e dhikrit (përmendjes së Allahut)[6] është se e largon shejtanin, e kënaq Allahun, e largon brengën dhe mërzinë nga zemra, e vesh me petkun e respektit, ëmbëlsisë, bukurisë në dynja dhe dritës në ahiret atë që e përmend Allahun, ia mbjell robit në shpirt vetëdijesimin e mbikëqyrjes së Allahut derisa ta fusë në fushën e bamirësisë.

    Dhikri është shkak që të përfitohen begatitë dhe të largohen fatkeqësitë. Begatitë e Allahut nuk mund të përfitohen si dhe fatkeqësitë nuk mund të largohen sikurse me përmendjen e Allahut.

    1. Dhikri (përmendja e Allahut) bëhet me zemër dhe bëhet me gjuhë.

    Dhikri më i plotë, më i mirë, më i dobishëm dhe më i dashur tek Allahu është dhikri që bëhet bashkërisht me zemër dhe me gjuhë, pra me gjuhë e shqipton dhe me zemër e mediton dhe, në këtë mënyrë, ai që bën dhikër në vete e ndien dhe i percepton kuptimet dhe synimet e dhikrit të cilin e bën.

    Më pas në shkallë vjen dhikri që bëhet vetëm me zemër, me meditim dhe përsiatje në madhërinë, shenjat dhe pushtetin e Allahut, si dhe përmendja e Allahut me zemër gjatë urdhrit duke e zbatuar atë dhe gjatë ndalesës duke u larguar prej saj.

    Ky lloj i dhikrit si fryt e jep njohjen e Allahut, e stimulon dashurinë, frikën e vetëdijesimin e mbikëqyrjes së Allahut dhe largon nga bërja e mëkateve.

    Më pas në gradë vjen dhikri apo të përmendurit e Allahut vetëm me gjuhë.[7]

    “Ajo që kërkohet nga dhikri është zemra të jetë prezente. Ky duhet të jetë synimi i atij që bën dhikër dhe ai duhet të mundohet që ta arrijë këtë, të meditojë në atë që e thotë dhe ta mësojë kuptimin e tij.

    Meditimi në dhikër është i nevojshëm sikurse në lexim, sepse ato të dyja përputhen në kuptimin që e synojnë.”[8]

    1. I nënshtruar dhe i përulur, nga ata që e përmendin Allahun, llogaritet ai që gjatë dhikrit i përputhen zemra, gjuha dhe trupi i tij. Pra, e thekson dhe shqipton gjuha e tij, e përsiat dhe e mediton zemra e tij, i nënshtrohen dhe i përulen gjymtyrët e tij.
    2. Neglizhimi për t’i mësuar dhe kuptuar fjalët dhe lutjet e dhikrit, në veçanti të mëngjesit dhe mbrëmjes, dhe ajo që përfshihet në to nga imani dhe thelbi i besimit dhe qartësimi i madhështisë së Allahut, si dhe frytet që i jep dhikri, si: rritja e imanit, bindjes dhe e lidhshmërisë së zemrës me Allahun, llogaritet shkujdesje e cila është një nga mënyrat e shejtanit për ta penguar njeriun në rrugën e Allahut.

    Prandaj, besimtari duhet ta mësojë kuptimin e lutjeve të dhikrit dhe të meditojë në to, derisa ato ta japin frytin e tyre që shpresohet dhe derisa ndikimi i saj në shpirtin e myslimanit të jetë më i madh.[9]

    1. Dhikri që theksohet me gjuhë, si: leximi i Kuranit, tesbihi (thënia subhanallah), tehmidi (thënia elhamdulilah), tehlili (thënia la ilahe il-lallah), dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes, i gjumit, i hyrjes në tualet dhe lutjet e tjera, patjetër duhet të bëhen me lëvizjen e gjuhës dhe shpërblimi i dhikrit i premtuar nga Allahu nuk arrihet, përveçse me shqiptimin e tij me gjuhë, kurse vetëm thjesht meditimi me zemër, nuk shpërblehet me këtë shpërblim të veçantë, megjithëse ai që mediton me zemër shpërblehet nga aspekti tjetër, aspekti i meditimit dhe i përsiatjes.

    Ai që lexon në namaz vetëm me zemër, namazi i tij nuk pranohet, por patjetër duhet të lëvizin gjuha dhe buzët e tij, sepse leximi në namaz përbëhet nga fjalët dhe ato nuk mund të realizohen vetëm se me lëvizjen e gjuhës dhe buzëve.[10]

    1. Shumica e dijetarëve e kushtëzojnë për lexuesin që gjatë leximit dhe dhikrit ta dëgjojë zërin e tij, pavarësisht se leximi apo dhikri është i detyruar apo i pëlqyer, me qëllim që ta dijë se çfarë po thotë, prandaj përderisa e ka të shëndoshë dëgjimin dhe nuk ka pengesë apo ndalesë që e pengon dëgjimin e tij, nuk i mjafton atij vetëm lëvizja e gjuhës dhe e buzëve të tij.

    Një mendim tjetër i dijetarëve është se kjo nuk i detyrohet atij, por i mjafton vetëm lëvizja e gjuhës dhe të shqiptuarit e shkronjave, edhe pse nuk i dëgjon ato, sepse me këtë realizohet të folurit, kurse dëgjimi i asaj që e shqipton është çështje shtesë e të folurit dhe shqiptimit, njashtu nuk ka argument se dëgjimi i asaj që e shqipton është detyrim. Të këtij mendimi janë Ibën Tejmije dhe Ibën El-Kajimi, Allahu i mëshiroftë, dhe e vlerësoi si mendimin më të saktë Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë.[11]

    Për çdo rast, më e mira për adhurim është mendimi i shumicës së dijetarëve.

    1. Përmendja e Allahut është e ligjshme në çdo kohë dhe në çdo gjendje, pa kufizim dhe pa përcaktim, prandaj nuk ka arsyetim për askënd për shkujdesjen apo mangësinë e tij në të përmendurit e Allahut.

    Allahu thotë: “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!” (El-Ahzab: 41-42)

    Dhe thotë: “… përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë…” (En-Nisa: 103)

    Dhe thotë: “Për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë…” (Ali Imran: 191)

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Për çdo obligim që Allahu ua obligoi robërve të Vet, caktoi kufij që njihen, pastaj i arsyetoi disa robër të Tij që janë për t’u arsyetuar, përveç në rastin e dhikrit, ku për të Allahu nuk caktoi kufij që duhet ndalur në to dhe nuk e arsyetoi askënd për braktisjen e tij, përveç atij që nuk e ka nën kontroll mendjen e tij. Allahu thotë: “…përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë…”, natën dhe ditën, në tokë dhe në det, udhëtar dhe i pranishëm, në pasuri dhe në varfëri, i sëmurë dhe i shëndoshë, në vetmi dhe në publik dhe në çdo gjendje.”[12]

    1. Është mirë për atë që bën dhikër të jetë në formën më të plotë, kur është i ulur në një vend, të drejtohet në drejtim të Kibles, të ulet i nënshtruar dhe i përulur, të jetë i qetë e serioz dhe të jetë kokulur.

    Edhe po qe se e përmend Allahun jashtë kësaj gjendjeje, lejohet dhe veprimi i tij nuk urrehet ndërsa, nëse vepron kështu pa ndonjë arsye, atëherë e ka braktisur atë më të mirën.”[13]

    1. Përmendja e Allahut është dy llojesh: e pakufizuar dhe e kufizuar.

    Dhikri i pakufizuar është ai i cili veprohet në çdo kohë, vend dhe gjendje dhe nuk është i kufizuar me ndonjë kohë, vend apo gjendje, dhe nuk ka ndonjë formë apo numër të kufizuar, kështu që myslimani e përmend Allahun në çdo kohë sipas mundësive të tij.

    Allahu thotë: “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun.” (El-Ahzab: 41)

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e përmendte Allahun çdo herë kur i jepej mundësia.[14]

    1. Dhikri i kufizuar është ai i cili kufizohet në kohë, vend, gjendje dhe numër.

    – Dhikri i kufizuar në kohë është ai që kufizohet me ndonjë kohë të veçantë dhe çdoherë që vjen kjo kohë myslimani i citon lutjet dhe dhikrin e veçantë për këtë kohë, si: dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes, apo dhikri kur të shihet hëna e re.

    – Dhikri i kufizuar me vende është ai që kufizohet me vend, si: duaja gjatë hyrjes dhe daljes nga xhamia, duaja gjatë hyrjes dhe daljes nga shtëpia, duaja gjatë hyrjes në tualet, duaja kur të ndalesh në ndonjë vend (qoftë në udhëtim apo jo), duaja në Muzdelife, duatë gjatë riteve të haxhit etj.

    – Dhikri i kufizuar me gjendje është ai që kufizohet me gjendje të veçantë, si: dhikri i gjumit dhe ngritjes nga gjumi, dhikri i udhëtimit, dhikri në raste të brengosjes dhe pikëllimit, dhikri gjatë vështirësive, dhikri i hidhërimit, duaja gjatë teshtitjes, duaja para se t’i afrohet burri bashkëshortes për marrëdhënie, dhikri kur të këndojë gjeli dhe të pëllasë gomari, duaja për atë që ta bën një të mirë etj.

    – Dhikri i kufizuar me numër është ai dhikër që kufizohet me numër të veçantë, si: të thuhet kjo dua tri herë, dhjetë apo njëqind herë etj.

    1. Nëse dhikri është i kufizuar me formë dhe numër të caktuar, thelbi është që myslimani ta bëjë dhikrin në formën dhe numrin e vet të caktuar, pra, të mos shtojë apo pakësojë, apo të ndryshojë diçka, sepse kjo ia humb kuptimin dhe qëllimin e veçimit përveç, nëse ka ardhur argument që lejohet të shtohet në numër apo formë në ndonjë rast,[15] sikurse ka ardhur në hadith: “Kush e thotë këtë lutje: ‘la ilahe il-lallahu uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu ue huve ala kul-li shej-jin kadir’[16], njëqind herë në ditë, e ka shpërblimin sikur t’i ketë liruar dhjetë robër, i shkruhen njëqind të mira, i shlyhen njëqind të këqija dhe është i mbrojtur nga shejtani tërë ditën derisa të vijë mbrëmja, dhe nuk ka vepruar ndokush më mirë me përjashtim të atij që ka vepruar më tepër se ky.”[17]

    Në një hadith tjetër: “Kush e thotë këtë lutje në mëngjes dhe në mbrëmje: ‘subhanallahi ue bihamdihi’[18] njëqind herë, nuk vjen në Ditën e Kiametit ndokush me diçka më të mirë se ky, përveç atij i cili ka thënë si ky apo ka thënë më tepër.”[19]

    1. Forma e dhikrit e cila ka ardhur njëjës nuk është e ligjshme të bëhet në shumës, si shembull ai që lutet ta ndryshojë lutjen: “Allahume ihfidhni min bejne jedeje ue min halfi…” dhe ta thotë në shumës: “Allahume ihfidhna min bejne ejdina ue min halfina…”,[20] me nijet që në lutjen e tij t’i përfshijë familjen dhe fëmijët e tij.

    Fjalët e dhikrit janë statike, prandaj edhe duhet thënë dhikri sikurse ka ardhur në formën dhe numrin e vet të caktuar.[21] Ajo që ka ardhur në njëjës shqiptohet në njëjës dhe ajo që ka ardhur në shumës shqiptohet në shumës, edhe kur folësi apo biseduesi është një në numër.

    Nëse forma e dhikrit ka ardhur në shumës nuk ka pengesë për myslimanin që ta përfshijë në lutje veten dhe familjen e tij, madje t’i përfshijë myslimanët në përgjithësi, si lutja që ka ardhur në hadith: “Allahume bike asbahna, ue bike emsejna…)[22], si dhe kur ta thotë lutjen që është në suren Fatiha: “Udhëzona në rrugën e drejtë!” (El-Fatiha: 6)

    1. Leximi i Kuranit është më i mirë sesa dhikri dhe duaja e pakufizuar, kurse dhikri është më i mirë sesa duaja. Mirëpo angazhimi me dhikrin e kufizuar me kohë, vend apo gjendje është më mirë sesa thjesht leximi i Kuranit.[23]
    2. Përmendja e shpeshtë e Allahut është portë e çdo mirësie dhe shpëtimi. Shpërblimi i dhikrit është i madh, kurse për ata që shpesh bëjnë dhikër dhe e përmendin Allahun u janë premtuar dhunti të mëdha dhe ata janë që do të paraprijnë në Ditën e Kiametit, ashtu siç Allahu thotë: “…përmendeni shumë Allahun që të fitoni.” (El-Enfal: 45), dhe thotë: “…përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (El-Ahzab: 35)

    Ka ardhur në hadith: “Ua tejkaluan ‘el-Muferidun’[24]”. Thanë: “O i Dërguari i Allahut, po kush janë ata?” U përgjigj: “Ata dhe ato që shumë dhe në vazhdimësi e përmendin Allahun.”[25]

    1. Ai që në vazhdimësi e bën dhikrin e mëngjesit dhe mbrëmjes, dhikrin pas namazeve farze, dhikrin në kohë, gjendje dhe shkaqe të ndryshme gjatë natës dhe ditës, llogaritet të jetë nga ata që e përmendin shpesh Allahun.[26]

    Ibën Abasi, Allahu qoftë kënaqur prej tij, në komentin e fjalës së Allahut: “…përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset…” thotë: “Qëllimi është për ata apo ato që e përmendin Allahun pas namazeve farze, në mëngjes dhe në mbrëmje, kur bien në shtrat dhe kur ngrihen nga gjumi dhe çdoherë kur dalin nga shtëpitë e veta.”[27]

    Muxhahidi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Njeriu nuk mund të llogaritet nga ata që shpesh e përmendin Allahun përderisa nuk e përmend Allahun në këmbë, ulur dhe i shtrirë.”[28]

    1. Preferohet për çdo mysliman dhe myslimane që në vazhdimësi ta bëjnë dhikrin e mëngjesit dhe mbrëmjes, të cilat janë edhe kohët më të mira, të meditojnë dhe të përsiasin në kuptimet dhe përmbajtjet e lutjeve, sepse nevoja për këtë dhikër është e madhe, dobitë e tij në dynja dhe ahiret janë të mëdha, është mburojë dhe mbrojtje e madhe nga shejtani i mallkuar dhe nga të këqijat e zararet. Po ashtu gjatë dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes myslimani në vazhdimësi e përmend e i përulet Allahut dhe troket në derën e Tij në dy qoshet e ditës, që hapja e veprave, fillimi i ditës dhe përfundimi i ditës të jenë me përmendjen e Allahut.

    Allahu thotë: “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!” (El-Ahzab: 41-42); që do të thotë: përmendeni Allahun në fillim të ditës dhe në fund të saj (pas ikindisë), pra në mëngjes dhe në mbrëmje.

    Allahu thotë: “… Zotin tënd përmende shumë dhe adhuroje Atë në mbrëmje dhe në mëngjes.” (Ali Imran: 41); në mbrëmje d.m.th. në fund të ditës dhe në fillim të natës, dhe në mëngjes d.m.th. në fillim të ditës dhe në fund të natës.

    Allahu thotë: “…madhëroje Zotin tënd e falënderoje Atë para lindjes së diellit dhe para perëndimit.” (Kaf: 39)

    1. Allahu për dhikrin e caktuar me sheriat përcaktoi shpërblime e merita të mëdha dhe ndër to: faljen e gjynaheve, përfitimin e të mirave, shlyerja e të këqijave, shpërblim i barabartë me lirimin e skllevërve, premtim i Xhenetit, ruajtje dhe mbrojtje nga e keqja e dëmi dhe mjaftueshmëri nga çdo gjë.
    2. Koha e dhikrit të mëngjesit fillon me lindjen e sabahut e deri në lindjen e diellit. Kjo kohë është koha e parapëlqimit dhe e vlerës. Disa dijetarë të tjerë thonë se koha është prej pas lindjes së diellit e deri në namazin e drekës.

    Koha e dhikrit të mbrëmjes fillon pas namazit të ikindisë e deri në perëndimin e diellit. Kjo është koha e parapëlqimit dhe e vlerës. Disa dijetarë të tjerë thonë se koha është pasi të perëndojë dielli e deri në fillimin e natës, pra, diku një e treta e natës.

    Pra, koha dhe momenti i këtyre lutjeve është koha e parapëlqimit dhe e vlerës, para lindjes së diellit dhe para perëndimit të diellit, d.m.th. pas namazit të sabahut dhe pas namazit të ikindisë.[29]

    1. Kujt i ikën dhikri i mëngjesit e i mbrëmjes dhe i kalon koha e vet e vlerës si shkak i angazhimit dhe harresës, dhe ky person është nga ata që e bëjnë dhikrin për çdo ditë në kohën e vet, e ligjshme për të është që ta bëjë dhikrin edhe pasi të kalojë koha e vlerës dhe të mos e neglizhojë, nëse ka mundësi, sepse ai që edukohet dhe kalitet që të jetë i pandarë nga dhikri, shumë rëndë është që t’i ikën koha e dhikrit, kurse atij që nuk i intereson koha e dhikrit derisa të dalë koha e vet, shumë lehtë e humb dhe i ikën bërja e dhikrit në kohën e vet.[30]

    Me një hadith ka ardhur: “Kujt, shkaku se e zë gjumi, i ikën pjesa e caktuar e adhurimit të natës apo diçka nga ajo dhe atë pjesë të caktuar e zëvendëson në mes namazit të sabahut dhe namazit të drekës, atij i shkruhet (në fletushkat e veprave të mira, -sh.p.-) sikurse të ishte ngritur natën dhe ta kishte kryer pjesën e caktuar të adhurimit të tij.”[31]

    1. Forma e përsosur e dhikrit është që të gjitha lutjet e sakta që janë pjesë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes të citohen në vazhdimësi dhe kjo llogaritet derë e madhe nga dyert e mirësisë që duhet të shtohet e jo të neglizhohet diçka prej saj. Kujt i jepet sukses që ta bëjë dhikrin me të gjitha lutjet, kjo për të është begati dhe mirësi nga Allahu. Lum për këtë njeri.

    Kur myslimanit koha i ngushtohet dhe nuk ka mundësi t’i thotë të gjitha lutjet, le të mundohet të shfrytëzojë nga lutjet aq sa i jepet mundësi. Nëse diçka nuk arrihet plotësisht, s’do të thotë që ajo të braktiset tërësisht, kurse lënia e të gjitha lutjeve llogaritet shkujdesje që prej saj duhet të kërkohet mbrojtje tek Allahu.[32]

    1. Nuk ka pengesë që lutjet e mëngjesit dhe të mbrëmjes të lexohen në mënyrë të vazhdueshme në një ndejë apo të lexohen me ndërprerje në disa ndeja. Radhitja e lutjeve në lexim nuk ka ndonjë rol të veçantë, madje nuk duhet pasur mendim se radhitja ka ndonjë vlerë të posaçme, prandaj besimtari i radhit lutjet në atë mënyrë që i ndihmon më lehtë t’i rikujtojë dhe të mos i harrojë dhe ato i lexon qoftë nga mendja, fleta apo nga libri.

    Sidoqoftë më e mira është që t’i lexojë në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim që ta arrijë sa më shpejt shpërblimin e madh, para se t’i dalë ndonjë punë dhe ta angazhojë apo ta bëjë të harrojë që ta përmendë Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje.

    1. Për sa i përket dhikrit që është me numër të kufizuar, si p.sh. njëqind herë, për besimtarin më mirë është që ta thotë dhikrin e plotë në një kohë, shkaku i frikës nga harresa apo gabimi në numërim, përndryshe nuk ka pengesë që të lexohet i ndarë, sepse në esencë nuk është kusht që të lexohet pandërprerë dhe besimtari mund ta thotë si t’i vijë më lehtë dhe më mirë atij.[33]
    2. Nuk është e ligjshme që lutjet e mëngjesit dhe të mbrëmjes të lexohen në grup, sikurse ato të lexohen bashkërisht në grup me një zë të përbashkët, apo njëri të lexojë e të tjerët t’i përsërisin fjalët pas tij apo të thonë amin pas tij, por e ligjshme është që çdonjëri t’i lexojë vetë ato.[34]
    3. Në vazhdim do të ceken disa dua të sakta nga dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes, të cilat lexohen bashkërisht në mëngjes dhe në mbrëmje, duke e sqaruar kuptimin e fjalëve dhe rreshtave të paqartë, që kjo të ndihmon në meditimin dhe përsiatjen e tyre[35]:

    * “Aṣbaḥna ue aṣbaḥal mulku lil-lah, uelḥamdu lil-lahi, la ilahe il-lall-llahu uaḥdehu la sherike leh, lehul mulku, ue lehul ḥamdu, ue huve ala kul-li shej’in ḳadir. Rabbi es’eluke hajra ma fi hadhel jevmi, ue hajra ma badehu, ue eudhu bike min sherri ma fĩhadhel jevmi, ue sherri ma badehu.

    Rabbi eudhu bike minel keseli, ue suil kiber, Rabbi eudhu bike min adhabin fin-nari, ue adhabin fil ḳabri.”

    “U gdhimë dhe i gjithë pushteti i përket Allahut dhe falënderimi i përket Allahut. Nuk i përket adhurimi me të drejtë askujt përveç Allahut, të Vetmit dhe i Pashoq. Atij i takon sundimi dhe Atij i takon falënderimi dhe Ai është mbi çdo gjë i Plotfuqishëm. O Zot, e kërkoj prej Teje mirësinë e kësaj dite dhe ditës që vjen pas saj dhe kërkoj mbrojtje te Ti nga sherri i kësaj dite dhe ditës që vjen pas saj.

    O Zot, kërkoj të më mbrosh nga përtacia dhe pleqëria e keqe. Zoti im, kërkoj mbrojtje te Ti nga ndëshkimi zjarrit të Xhehenemit dhe nga ndëshkimi në varr.”

    – Ndërsa në mbrëmje:

    “Emsejna ue emsa el mulku lil-lahi…. Rabbi es’eluke hajra ma fi hadhihi leljeti, ue hajra ma badeha, ue eudhu bike min sherri ma fĩ hadhihil lejleti, ue sherri ma badeha…”; e deri në fund të lutjes.

    “E arritëm mbrëmjen dhe i gjithë pushteti i takon Allahut…. O Zot, e kërkoj prej Teje mirësinë e kësaj nate dhe natës që vjen pas saj dhe kërkoj mbrojtje te Ti nga sherri i kësaj nate dhe natës që vjen pas saj.”

    – Sqarim i disa fjalëve të duasë:

    “E arritëm mbrëmjen dhe i gjithë pushteti i takon Allahut”; këtu qartësohet gjendja e atij që e thotë duanë, d.m.th. e kuptuam se pushteti i takon Allahut, falënderimi i takon Allahut dhe jo tjetërkujt, prandaj Atij iu drejtuam dhe kërkuam ndihmë nga Ai dhe Allahun e veçuam me adhurim, lavdërim dhe falënderim.

    “pleqëria e keqe”; lutësi kërkon mbrojtje tek Allahu nga ajo që vjen si pasojë e pleqërisë, si: matufosja derisa njeriu fillon të flasë budallallëqe e ta humbë mendjen dhe të veprojë gjëra të tjera që ia përkeqësojnë gjendjen, si: të nënçmohet para njerëzve, të jetë i paaftë në lëvizje etj.

    *Allahume bike aṣbaḥna, ue bike emsejna, ue bike naḥja, ue bike nemutu, ue ilejke nushur.

    “Allahu im, e arritëm mëngjesin duke qenë nën kujdesin Tënd dhe e arritëm mbrëmjen duke qenë nën kujdesin Tënd. Ti na ngjall dhe Ti na vdes dhe pas ringjalljes, te Ti është tubimi.”

    – Në mbrëmje:

    “Allahume bike emsejna, ue bike aṣbaḥna, ue bike naḥja, ue bike nemutu, ue ilejkel mesir.”

    “Allahu im, e arritëm mbrëmjen duke qenë nën kujdesin Tënd dhe e arritëm mëngjesin duke qenë nën kujdesin Tënd. Ti na ngjall dhe Ti na vdes dhe pas ringjalljes, te Ti është kthimi.”

    – Sqarim i disa fjalëve të duasë:

    “tubimi”; për qëllim është ringjallja dhe jeta pas vdekjes.

    “te Ti është kthimi”; të gjithë te Ti do të kthehemi.

    Të dy fjalët synimin e kanë të njëjtë, kthimin tek Allahu pas vdekjes.

    *Asbaḥna ala fiṭratil Islam, ue ala  kelimetil ihlaṣ, ue ala dini nebijjina Muḥamedin (ṣal-lallahu alejhi ue selem), ue ala mileti ebina Ibrahime ḥanifen muslimen, ue ma kene minel mushrikin.

    “E arritëm mëngjesin në natyrshmërinë islame, në fjalën e sinqeritetit (la ilahe il-lallah), dhe në fenë e profetit tonë Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, si dhe në besimin monoteist të pastër të babait tonë Ibrahim, i cili ka qenë larg besimeve të kota, i nënshtruar ndaj Allahut dhe nuk ka qenë prej idhujtarëve.”

    – Kurse në mbrëmje:

    “Emsejna ala fitratil islam, ue ala kelimetil ihlas…” deri në fund të lutjes.

    “E arritëm mbrëmjen në natyrshmërinë islame, dhe në fjalën e sinqeritetit (la ilahe il-lallah)…”

    – Sqarim i disa fjalëve të duasë:

    “i cili ka qenë larg besimeve të kota”; nënkupton besimdrejtë, larg çdo besimi të kotë dhe i kapur për fenë e vërtetë dhe të drejtë, fenë islame.

    *Leximi i ajetit Kursij:

    “Allahu la ilahe il-la huvel Ḥajjul Ḳajjum. La te’hudhuhu sinetun ue la neum. Lehu ma fis-semavati ue ma fil erḍ. Men dhel-ledhi jeshfe’u indehu il-la bi idhnihi. Ja’lemu ma bejne ejdihim ue mahalfehum, ue la juḥiṭune bi shej’in min ilmihi il-la bima shae. Vesi’a kursijjuhus-semavati uel erḍa, ue la je’uduhu ḥifḍhuhuma ue huvel ‘Alijjul ‘Aḍhim.”(El-Bekare: 255)

    “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursiu i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori!” (El-Bekare: 255)

    – Sqarim i disa fjalëve të ajetit:

    “nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij”; nënkupton që nuk i takon adhurimi me të drejtë askujt përveç Allahut.

    “Mbajtësit të gjithçkaje”; nënkupton se Ai nuk varet prej askujt dhe Ai i mirëmban të tjerët. Ai nuk ka nevojë për askënd dhe për Të të gjitha krijesat kanë nevojë. Ai i rregullon çështjet e qiejve dhe të tokës dhe çka ka në mes të tyre. Ai është Mirëmbajtësi i gjithçkaje.

    “Atë nuk e kaplon as dremitja”; do të thotë se Ai nuk kotet dhe Atë nuk e kaplon as dremitja që vjen para gjumit.

    “dhe as gjumi”; sepse gjumi është e metë. Allahu nuk fle dhe nuk i takon askujt ta përshkruajë me këtë të metë. Allahu është i pastër nga çdo e metë dhe gjumi bie ndesh me përsosurinë e Vetes. Atij që fle i ikën shumë nga ajo që ndodh përreth tij, kurse Allahut nuk i ikën asgjë. Gjumi është shkujdesje, kurse Allahut nuk i ikën asgjë. Gjumi është pushim pas lodhjes, kurse Allahu nuk lodhet dhe është i pastër nga kjo cilësi. Pra, Atë nuk e kaplon as dobësia e as lodhja.

    “Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij?”; kjo nënkupton se askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Ai për ndokënd përveçse me lejen e Tij, me urdhrin dhe vullnetin e Tij. Do të thotë që Allahu i jep leje ndërmjetësuesit të ndërmjetësojë dhe Allahu duhet të jetë i kënaqur me atë që kërkohet të ndërmjetësohet për të.

    “Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara”; do të thotë që Allahu di çdo gjë për krijesat, e di të tashmen, çka ka para tyre, të dukshmen dhe e di të ardhmen.

    “dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve”; pra e di të kaluarën, që na bën me dije se Allahu e di të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.

    “dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato”; do të thotë se për Allahun nuk është e rëndë dhe nuk e mundon mirëmbajtja dhe kujdesi për tokën dhe qiejt dhe çdo gjë çka ka në to e në mes të tyre.

    *Leximi i sures Ihlas, Felek dhe Nas, nga tri herë:

    – Surja Ihlas:

    “Ḳul huvall-llahu eḥad, All-llahuṣ-Ṣamed, lem jelid uëe lem juled, ve lem jekun lehukufuven eḥad.” (El-Ihlas: 1-4).

    “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as lind, as është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”(El-Ihlas: 1-4)

    – Sqarim i disa fjalëve të ajetit:

    “Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim”; do të thotë që Allahu synohet në të gjitha dhe për të gjitha nevojat. Në të gjitha nevojat, kërkesat, gjendjet dhe vështirësitë, të gjithë krijesat i drejtohen dhe e synojnë Allahun, të nënshtruar dhe me përulje. Të gjithë i nënshtrohen Atij dhe janë nevojtarë për Të, kurse Ai është Pasaniku që nuk ka nevojë për askënd. Ai është i përsosur në dijen, urtësinë, butësinë, fuqinë, madhështinë, mëshirën dhe në të gjitha cilësitë e tjera të Tij.

    Pra, Allahu, që nga emrat e Tij është Es-Samed (Absoluti), është me cilësi të përsosura dhe Atë që e synojnë të gjitha krijesat në të gjitha nevojat e tyre.

    “Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”; do të thotë që askush Allahut nuk i përngjason dhe askush nuk është i barabartë me Atë dhe askush nuk është si Ai, dhe Ai as ka fëmijë, as ka baba dhe as ka grua.

    – Surja Felek:

    “Ḳul e’udhu bi rabbil feleḳ, min sherri ma haleḳ, ve min sherri gasiḳin idha veḳab, ve min sherrin-neffathati fil ‘uḳad, ve min sherri ḥasidin idha ḥased.” (El-Felek: 1-5)

    “Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit, që të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar dhe nga sherri i natës, kur kaplon terri dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji) dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë.” (El-Felek: 1-5)

    – Sqarim i disa fjalëve të ajetit:

    “Kërkoj mbështetje”; do të thotë që kërkoj strehim, ndihmë, mbrojtje dhe mburojë.

    “El- Felek”; do të thotë agim.

    “nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar”; do të thotë kërkoj mbrojtje nga sherri i gjithçkaje që mund të bëjë sherr, nga njerëzit, xhindet apo kafshët etj.

    “dhe nga sherri i natës, kur kaplon terri”; do të thotë nga sherri i natës dhe nga sherri i asaj që gjendet në të kur kaplon terri apo kur hëna errësohet.

    “dhe nga sherri i falltarëve, që fryejnë në nyje”; do të thotë kërkoj mbrojtje nga sherri i falltarëve dhe magjistarëve që fryjnë në nyje dhe ato i lidhin për të bërë magji.

    – Surja Nas:

    “Ḳul e’udhu bi rabbin-nas, Melikin-nas, Ilahin-nãs, min sherril vesvasil han-nas, el-ledhi juvesvisu fi ṣudurin-nas, minel xhinneti ven-nas.” (En-Nas: 1-6)

    “Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve, Sundimtari i njerëzve, i Adhuruari (i vetëm me të drejtë) i njerëzve, nga sherri i djallit cytës që fshihet (pasi cyt) e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve, (qoftë ai djall) prej xhindeve apo njerëzve!” (En-Nas: 1-6)

    – Sqarim i disa fjalëve të ajetit:

    “nga sherri i djallit cytës”; për qëllim është shejtani i cili fshihet dhe ikën kur përmendet Allahu, kurse kur njeriu është në shkujdesje, atëherë shejtani hedh dyshime në gjokset e njerëzve.

    “prej xhindeve apo njerëzve”; do të thotë nga shejtanët njerëz dhe xhinde, ata fusin dhe bëjnë vesvese në gjokset e njerëzve, apo ky shejtan cytës hedh dyshime në gjokset e njerëzve, qoftë nga njerëzit apo xhindet shejtanë.

    *“Allahume Ente Rabbi, la ilahe il-la Ente, halaḳteni ue ene abduke, ue ene ala ahdike ue vadike mesteṭatu, eudhu bike min sherri maṣanatu, ebu leke bi nimetike alejje, ue ebu’u bi dhenbi, fegfir li fe innehu la jegfirudh-dhunube il-la Ente.”

    “O Allah, Ti je Zoti im! Nuk i takon adhurimi me të drejtë askujt përveç Teje. Ti më krijove dhe unë jam robi Yt! Unë do t’i qëndroj besnik marrëveshjes dhe premtimit që ta kam dhënë, sa të mundem! Kërkoj mbrojtje te Ti nga sherri i asaj që e kam vepruar! Unë jam mirënjohës ndaj begative të Tua që m’i ke dhënë dhe i pranoj gjynahet e mia, andaj më fal mua, sepse nuk i fal gjynahet askush përveç Teje.”

    – Sqarim i disa fjalëve të duasë:

    “Unë do t’i qëndroj besnik marrëveshjes dhe premtimit që të kam dhënë, sa të mundem!”; për qëllim është se Allahu e mori besatimin nga robërit e Tij për marrëveshjen e bërë, ku në të i urdhëroi për në adhurim dhe i ndaloi nga mëkatet, dhe u premtoi se për zbatimin e marrëveshjes do t’i shpërblejë me shpërblimet më të larta.

    “sa të mundem!”; do të thotë që unë do të mundohem ta respektoj marrëveshjen sipas mundësive të mia, jo sipas asaj që Ty të takon dhe Ti e meriton që unë të të adhuroj, sepse Ti meriton shumë dhe adhurimi im nuk mundet t’i afrohet asaj që Ti e meriton.

    “Unë jam mirënjohës ndaj begative të Tua që m’i ke dhënë dhe i pranoj gjynahet e mia”; do të thotë që unë jam mirënjohës ndaj të gjitha begative që m’i ke dhënë, dhe unë jam mëkatar, prej Teje vjen bamirësia, kurse prej meje mëkati, prandaj unë të falënderoj për begatitë dhe Ti je meritor të falënderohesh, dhe kërkoj falje prej Teje për gjynahet e mia. Robi çdoherë është dhe sillet në mes të begatisë së Allahut, që për të ka nevojë të falënderojë dhe mëkatit që vjen prej tij, ka nevojë për kërkimfalje. Ai vazhdon të lëvizë nëpër begatitë e Allahut duke pasur në vazhdimësi nevojë për pendim dhe istigfar.

    *“Allahumme inni es’elukel afue uel afijete fid-dun’ja uel ahirah, Allahumme inni es’elukel afve vel afijete fi dini ue dun’jaje ue ehli ue mali, Allahummestur aurati, ue amin ravati. Allahumme iḥfeḍhni min bejni jedejje, ue min halfi, ue an jemini ue an shimali, ue min feuḳi, ue eudhu bi aḍhametike en ugtale min taḥti.

    “O Allah! Kërkoj nga Ti shpëtim në dynja dhe ahiret. O Allah! Kërkoj nga Ti falje dhe mbrojtje në fenë time dhe dynjanë time, në familjen dhe pasurinë time. O Allah! M’i mbulo të metat dhe më qetëso nga gjërat trishtuese. O Allah! Më ruaj nga para dhe nga prapa, nga e djathta dhe nga e majta, si dhe nga lart dhe kërkoj mbrojtje me madhërinë Tënde që të mos më lëshojë toka.”

    – Sqarim i disa fjalëve të duasë:

    “Kërkoj nga Ti shpëtim në dynja dhe ahiret”; Do të thotë kërkoj mbrojtje dhe shpëtim nga sëmundjet, fatkeqësitë, të këqijat e dynjasë dhe të këqijat e ahiretit.

    “Kërkoj nga Ti falje dhe mbrojtje në fenë time dhe dynjanë time dhe në familjen dhe pasurinë time.”; do të thotë kërkoj mbrojtje dhe shpëtim për fenë time duke u larguar nga mëkatet dhe mëkatarët dhe vendet e sprovës dhe kërkoj që në vazhdueshmëri të ngrihem në gradat e përsosjes në fe dhe kërkoj shpëtim nga mangësia në fe. Kërkoj shpëtim në dynja nga zararet e fatkeqësitë dhe gjërat që shkatërrojnë dhe nga llojet e belave në shpirt, familje, pasuri dhe fëmijë.

    “O Allah! M’i mbulo të metat”; do të thotë të metat, mangësitë dhe çdo gjë që më dëmton, nëse ajo shpaloset, mos më nënçmo për shkak të mëkateve dhe gjynaheve të mia në dynja dhe ahiret.

    “dhe më qetëso nga gjërat trishtuese”; do të thotë më qetëso nga frika, pikëllimi dhe nga çdo gjë që më mërzit dhe më trishton. D.m.th. më qetëso dhe më ruaj nga çdo gjë që më frikëson dhe më trishton.

    “dhe kërkoj mbrojtje te Ti që me madhërinë Tënde të më mbrosh që të mos më lëshojë toka”; do të thotë të më mbrosh, nëse shkatërrohet toka papritmas e të më gëlltitë mua.

    *“Allahumme alimel gajbi uesh-shehadeti Faṭiras-semavati vel erḍi, Rabbe kul-li shej’in ve melikehu, eshhedu en la ilahe il-la Ente, e’udhu bike min sherri nefsi, ue min sherrish-shejṭani ue shirkihi, ue en eḳterife ala nefsi suen ev exhurr-rrahu ila muslim.”

    “O Allah! Njohës i së fshehtës dhe së dukshmes, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, Zot dhe Sundues i çdo gjëje, dëshmoj se nuk i takon adhurimi me të drejtë askujt, përveçse Ty, kërkoj mbrojtje te Ti nga e keqja e vetes sime dhe nga e keqja e shejtanit dhe kurthet e tij, të mos i bëj vetes keq e as të mos i bëj keq ndonjë myslimani.”

    – Sqarim i disa fjalëve të duasë:

    “Krijuesi i qiejve dhe tokës”; do të thotë se Allahu është Krijuesi i qiejve dhe i tokës dhe Shpikësi i tyre në një formë joekzistente më parë.

    “Zot dhe Sundues i çdo gjëje”; do të thotë Krijuesi i çdo gjëje, Sunduesi i tyre dhe Rregulluesi i gjërave. Asgjë nuk mundet të dalë jashtë veprimtarisë së Tij.

    “nga e keqja e shejtanit dhe kurthet e tij”; do të thotë nga vesveset, cytjet, zhytjet dhe devijimet e tij, që njeriun e vënë në sprovë dhe e çojnë deri në idhujtari dhe në të përshkruarit e Allahut ortak.

    “dhe të mos i bëj vetes keq e as të mos i bëj keq ndonjë myslimani”; do të thotë kërkoj mbrojtje tek Allahu nga bërja e mëkateve dhe rënia në to apo të jem shkak që një mysliman të bjerë në mëkat apo t’i bëj ndonjë të keqe.

    *“Bismilahil-ledhi la jeḍurr-rru me’asmihi shej’un fil erḍi ue la fis-semai ue hues-Semiul Alim.” (Tri herë).

    “Me emrin e Allahut, emër ky me përmendjen e të cilit nuk mund të bëjë dëm asgjë në tokë dhe as në qiell dhe Allahu është i Cili e dëgjon çdo gjë dhe është i Gjithëdijshmi.”

    – Sqarim i disa fjalëve të duasë:

    “Me emrin e Allahut”; do të thotë me emrin e Allahut kërkoj mbrojte, i Cili është i Fuqishëm për çdo gjë dhe nuk mund ta largojë të keqen e keqbërësit përveç Atij, prandaj ai i cili kërkon mbrojtje me emrin e Allahut nuk i bën dëm gjë nga ana e tokës dhe nga ana e qiellit.

    *“Eudhu bi kelimatil-lahit-tammati min sherri ma haleka!” (Një herë)

    “Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut prej së keqes së çdo gjëje që Ai e ka krijuar.”

    – Sqarim i disa fjalëve të duasë:

    “fjalët e përsosura të Allahut”; fjalë pa mangësi apo pa të meta. Thuhet se për qëllim janë fjalë të dobishme e të mjaftueshme dhe thuhet njashtu se me fjalët këtu për qëllim është Kurani.

    “prej së keqes së çdo gjëje që Ai e ka krijuar”; do të thotë nga çdo e keqe dhe nga çdo krijesë që bën dëm, kafshë apo të tjerë, njeri apo xhind, mineral apo diçka tjetër, si: era apo rrufeja.

    Kur robi kërkon mbrojtje nga Allahu dhe mbështetet në Sunduesin dhe të Gjithëfuqishmin, e ndien në veten e tij se ai i cili e largon të keqen e çdo keqbërësi është vetëm Allahu dhe askush tjetër.

    *“Ja Ḥajju, jaḲajjumu bi raḥmetike estegithu, aṣliḥ li she’ni kul-lehu, ue la tekilni ila nefsiṭarfete ajnin.”

    “O i Gjallë dhe i Përjetshëm! O Mbajtësi i gjithçkaje! Me mëshirën Tënde të kërkoj ndihmë! M’i përmirëso të gjitha punët e mia dhe mos më lër të mbështetem në veten time qoftë as sa një mbyllje e syrit.”

    *“Allahumme afini fi bedeni, Allahumme afini fi semi, Allahumme afini fĩ beṣar! La ilahe il-la Ente.” (Tri herë)

    “O Allahu im! Më jep shëndet në trupin tim, në dëgjimin tim dhe në shikimin tim, nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush përveç Teje.”

    *“Allahumme inni eudhu bike minel kufri uel faḳri, ue eudhu bike min adhabil ḳabri, la ilahe il-la Ente”. (Tri herë)

    “O Allahu im! Më jep shëndet në trupin tim, në dëgjimin tim dhe në shikimin tim, nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush përveç Teje. O Allahu im! Kërkoj mbrojtje te Ti nga kufri (femohimi), varfëria, dhe kërkoj mbrojtje nga ndëshkimi në varr, nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush përveç Teje.”

    *“Lailahe il-lall-llahu uaḥdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul ḥamdu ue huve ala kul-li shej’in ḳadir.” (Këtë lutje e thotë një herë apo dhjetë herë)

    “Nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut, Një dhe të Pashoq, vetëm Atij i takon sundimi dhe vetëm Atij i takon falënderimi, dhe Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.”

    *“Subhanallahi ue bihamdihi.” (Këtë e thotë njëqind herë)

    “I lartësuar qoftë Allahu, Atij i takon falënderimi dhe lavdi.”

    – Sqarim i disa fjalëve të duasë:

    “I lartësuar qoftë Allahu, Atij i takon falënderimi dhe lavdi”; do të thotë që e pohoj se Allahu është i pastër nga çdo mangësi dhe e metë që nuk i përkasin Atij dhe e pohoj se Atij i takojnë të gjitha cilësitë e përsosura. Ky lloj i dhikrit është bashkim në mes tesbihit (lavdërimit të Allahut) dhe hamdit (falënderimit të Allahut), që nënkupton se unë e lartësoj Allahun edhe kur e falënderoj Atë. Apo kuptimi tjetër: e lartësoj dhe e falënderoj Allahun. Prandaj, ky dhikër është nga më të mirët dhe më i dashuri tek Allahu.

    1. Nga dhikri i pakufizuar që thuhet në çdo kohë të ditës, dhe nuk kufizohet me mëngjesin apo mbrëmjen, është ky si vijon:

    *“Subahallahi ue bihamdihi adede halkihi”. (Thuhet tri herë)

    “I lartësuar qoftë Allahu aq sa është numri i krijesave të Tij.”

    *“Subhanallahi ue bihamdihi rida nefsihi”. (Thuhet tri herë)

    “I lartësuar qoftë Allahu aq sa dëshiron Ai vetë.”

    *“Subhanallahi ue bihamdihi zinete arshihi.” (Thuhet tri herë)

    “I lartësuar qoftë Allahu po aq sa është i bukur Arshi i Tij.”

    *“Subhanallahi ue bihamdihi midade kelimatihi.” (Thuhet tri herë)

    “I lartësuar qoftë Allahu aq sa është ngjyra e pafund për t’i shkruar fjalët e Tij.”

    – Sqarim i disa fjalëve të duasë:

    “I lartësuar qoftë Allahu, Atij i takon falënderimi dhe lavdi”; do të thotë që e pohoj se Allahu është i pastër nga çdo mangësi dhe e metë që nuk i përkasin Atij dhe e pohoj se Atij i takojnë të gjitha cilësitë e përsosura. Ky lloj i dhikrit është bashkim në mes tesbihit (lavdërimit të Allahut) dhe hamdit (falënderimit të Allahut), që nënkupton se unë e lartësoj Allahun edhe kur e falënderoj Atë. Apo kuptimi tjetër: e lartësoj dhe e falënderoj Allahun. Prandaj, ky dhikër është nga më të mirët dhe më i dashuri tek Allahu.

    “I lartësuar qoftë Allahu aq sa dëshiron Ai vetë”; do të thotë e lartësoj dhe e falënderoj Allahun aq sa dëshiron dhe e kënaq Atë, e kjo nuk ka fund në madhëri dhe përshkrim, apo e lartësoj dhe e falënderoj Allahun aq shumë sa të bëhet shkak që ta kënaq Atë.

    “I lartësuar qoftë Allahu po aq sa është i bukur Arshi i Tij”; do të thotë se e lartësoj dhe e falënderoj Allahun aq shumë sa është pesha e Arshit të Tij të madhërishëm, i cili është krijesa më e madhe dhe peshon më rëndë se të gjitha krijesat e tjera.

    “I lartësuar qoftë Allahu aq sa është ngjyra e pafund për t’i shkruar fjalët e Tij”; do të thotë e lartësoj dhe e falënderoj në sasi dhe numër të fjalëve të Tij, që nënkupton në sasi dhe masë që nuk përkufizohet me numër, sepse fjalët e Allahut s’kanë fund, ashtu siç Allahu thotë: “Thuaj: “Sikur deti të ishte bojë për të shkruar fjalët e Zotit tim, sigurisht që ai do të shterej, para se të soseshin fjalët e Zotit tim, edhe sikur Ne të sillnim si ndihmë edhe një det tjetër si ai.” (El-Kehf: 109)

    Qëllimi nga hadithi është se lavdërimi dhe falënderimi i Allahut nuk përkufizohen me numër e as me masë, prandaj unë e madhëroj dhe e lavdëroj Allahun aq shumë, saqë nuk mund të peshohet e as të numërohet edhe as me fjalët më të dashura dhe më të bukura të përshkruhet.

    *“La ilahe il-lall-llahu uaḥdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul ḥamdu ue huve ala kul-li shej’in ḳadir.” (Këtë lutje e thotë njëqind herë, kurse një herë apo dhjetë herë siç e cekëm më parë është në mëngjes dhe në mbrëmje).

    “Nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut, Një dhe të Pashoq, vetëm Atij i takon sundimi dhe vetëm Atij i takon falënderimi dhe Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.”

    *“Subhanallahi ue bihamdihi”. (Këtë e thotë njëqind herë. Edhe kjo është nga dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes).

    “I lartësuar qoftë Allahu, Atij i takon falënderimi dhe lavdi.”

    *“Estagfirullahe ue etubu ilejhi”, apo vetëm “Estagfirullah” (Thuhet njëqind herë).

    “Kërkoj faljen e Allahut dhe Atij i kthehem me pendim.” Apo vetëm “Kërkoj faljen e Allahut.”

    1. Këto dua të pakufizuara gjatë ditës dhe ato të kufizuarat me nga njëqind herë, nuk ka pengesë që të thuhen pandërprerë në një ndejë apo ndaras në më shumë se një ndejë, apo një pjesë të thuhet në mëngjes e pjesa tjetër në mbrëmje, Sidoqoftë më e mira është që t’i lexojë në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim që ta arrijë sa më shpejt shpërblimin e madh, të sigurohet nga harresa apo gabimi në numërim dhe të jetë mburojë për të gjatë tërë ditës nga shejtani mallkuar.[36]
    2. Ka nga lutjet që lexohen në mbrëmje pasi të perëndojë dielli dhe nuk lexohen para kësaj kohe, si: leximi i dy ajeteve të fundit të sures Bekare: “I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët…” (El: Bekare: 285-286)

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dy ajetet e sures Bekare, kush i lexon ato natën i mjaftojnë.”[37]

    Do të thotë që i mjaftojnë nga çdo e keqe që e dëmton. Thuhet se i mjaftojnë në vend të namazit të natës dhe thuhet se i mjaftojnë nga shejtani.

     

    E lusim Allahun të na e mësojë fenë, të na e mësojë atë që na bën dobi e të na e shtojë dijen e udhëzimin dhe të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin e mirë të Tij.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    [1] Buhariu (6407).

    [2] Muslimi (779).

    [3] Muslimi (2700).

    [4] Buhariu (7405), Muslimi (2675).

    [5] Imam Ahmedi (10614).

    [6] Shih: El-Vabil Es-Sajib, Ibën El-Kajim (fq. 92, 94-199).

    [7] Shih: El-Edhkar, imam Neveviu (fq. 9), Sherh Nevevij ala Sahih Muslim (17/15), Mexhmual Fetava (10/566, 15/35), El-Vabil Es-Sajib (fq. 221), Medarixh Es-Salikin (2/403), Roudatul Muhibin (fq. 430), El-Fevaid (fq. 192).

    [8] El-Edhkar, imam Neveviu (fq. 12).

    [9] Meani El-Edhkar, Muhamed Salih El-Munexhid.

    [10] Shih: El-Edhkar, imam Neveviu (fq. 13), El-Futuhat Er-Rabanije, Ibën Al’lan (1/108), Fetava Ibën Uthejmin (13/156).

    [11] Shih: El-Edhkar, imam Neveviu (fq. 13), El-Ihtijarat El-Fikhije, Ibën Tejmije (fq. 50), El-Furu, Ibën Muflih (2/166), I’alam El-Muvekkiine, Ibën El-Kajim (3/287), Esh-Sherh El-Mumtia (3/20).

    [12] Tefsir Et-Taberij (7/446).

    [13] El-Edhkar. Imam Neveviu (fq. 12).

    [14] Muslimi (373).

    [15] Shih: Sherh Nevevij ala Sahih Muslim (17/17), Fet’hul Bari (2/330, 11/112), Tes’hih Ed-Dua, Bekër ibën Abdullah Ebu Zejd (fq. 338), Fetava El-Lexhnetul Daime (24/203).

    [16] Nuk i takon adhurimi me të drejtë askujt përveç Allahut, që është Një dhe i Pashoq, Atij i takon Pushteti dhe Falënderimi dhe Ai është i Gjithëfuqishmi mbi çdo gjë. (sh.p.)

    [17] Buhariu (3293), Muslim (2691).

    [18] I Lartësuar qoftë Allahu, Atij i takon Falënderimi. (sh.p.)

    [19] Muslimi (2692).

    [20] Allahu im, më ruaj nga para dhe nga prapa, dhe në shumës: Allahu im, na ruaj nga para dhe nga prapa. (sh.p.)

    [21] Shih: Fet’hul Bari (11/112).

    [22] Allahu im, me emrin Tënd e arrijmë mëngjesin dhe me emrin Tënd e arrijmë mbrëmjen. (sh.p.)

    [23] Shih: Mexhmual Fetava (10/427, 11/399, 24/198), El-Vabil Es-Sajib (fq. 231).

    [24] El-Muferidun janë ata që dallohen dhe veçohen nga moshatarët dhe shokët e tyre me arritjen e gradave të larta me përmendjen e shpeshtë të Allahut. (sh.a.)

    [25] Muslimi (2676).

    [26] Shih: Fetava Ibën Es-Salah (1/150), El-Edhkar, imam Neveviu (fq. 10.), Tefsir El-Kurtubij (14/186), Tefsir Es-Sadij (fq. 665, 667).

    [27]Et-Tefsir El-Besit, imam El-Vahidij (18/247).

    [28] Tefsir Abdurrezak (2344), El-Bagavij (6/352).

    [29] Shih: El-Vabil Es-Sajib, (fq. 239), El-Futuhat Er-Rabanije, Ibën Alan (3/73).

    [30] Shih: EL-Edhkar, Neveviu (fq. 13), Sherh Nevevij ala Muslim (6/27), Tuhfetu Edh-Dhakirin, Esh-Sheukani (fq. 55).

    [31] Muslimi (747).

    [32]Shih: El-Edhkar, Neveviu (fq. 76), Tes’hih Ed-Dua, Bekër ibën Abdullah Ebu Zejd (fq. 338).

    [33] Shih: Sherh Nevevij ala Sahih Muslim (17/17), Umdetul Karij, El Ajnij (6/131).

    [34] Shih: Tes’hih Ed-Dua, Bekër Ebu Zejd (fq. 349), Fetava El-Lexhnetul Daime (24/267).

    [35] Të gjitha këto dua dhe të tjerat të ngjashme me to janë te libri “Mburoja e Muslimanit” i cili është i përkthyer në gjuhën shqipe. Te kjo pikë e librit për sa i përket përkthimit të disa duave i jam kthyer dhe konsultuar librit “Mburoja e Muslimanit” të përkthyer në gjuhën shqipe nga dy autorë të ndryshëm. (sh.p)

    [36] Shih: Sherh Nevevij ala Sahih Muslim (17/17), Umdetul Karij, imam El-Ajnij (6/131).

    [37] Buhariu (4008), Muslimi (807).

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • DISPOZITAT E FËMIJËS SË PORSALINDUR

    DISPOZITAT E FËMIJËS SË PORSALINDUR

    1. Dhuntitë dhe mirësitë e Allahut për robërit e Vet janë aq shumë, saqë numri i tyre nuk mund të përkufizohet dhe të numërohet. Në to bën pjesë edhe dhuntia e fëmijës. Fëmijët janë dhuntia, dhurata dhe mirësia e madhe e Allahut për robin e Vet. Kjo e mirë e Allahut e meriton falënderimin, përkujdesjen dhe ruajtjen nga robi i Tij. Fëmijët janë fryti i zemrës, themeli i shtëpisë, stolia e jetës së dynjasë, ashtu siç Allahu thotë: “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote…” (El-Kehf: 46)

    Allahu në Kuran e përmend se nga lutjet e robërve të zgjedhur të Allahut është lutja: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (El-Furkan: 74)

    1. Islami fëmijës ia përcaktoi dhe ia garantoi të drejtat e tij para se të ekzistonin marrëveshjet, shoqatat dhe organizatat për të drejtat e njeriut.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Edhe ndaj fëmijës tënd ke hak (të drejta që bien mbi ty).”[1]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Secili prej jush jeni barinj dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e vet… Burri është bari i familjes së tij dhe përgjegjës për të, gruaja është bareshë e shtëpisë së saj dhe përgjegjëse për shtëpinë e burrit të saj dhe për fëmijët e saj.”[2]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu do ta pyesë çdo përgjegjës për kopenë që e ka pasur nën përgjegjësinë e tij, a e ka ruajtur apo e ka humbur, madje do të pyetet edhe njeriu për anëtarët e familjes së tij.”[3]

    1. Islami fëmijës ia siguron të drejtat para lindjes së tij: fillimisht me zgjedhjen e nënës së ndershme, pastaj përkujdesja për të gjatë periudhës së shtatzënisë, përkujdesja për të drejtën e tij që të jetojë duke e ndaluar abortimin e tij gjatë fazës së shtatzënisë, lehtësimi i çështjes së agjërimit për gruan shtatzënë, ndëshkimi i mbytësit të tij duke e detyruar ta shpaguajë gjakun e tij etj.

    Pas lindjes: lumturia dhe gëzimi me daljen e tij në dynja, thirrja e ezanit në veshin e djathtë, pëlqehet t’i fërkohet lehtë qiellza e tij me hurmë, i jepet e drejta ta marrë mbiemrin e babait, zgjedhja e emrit të mirë për të, therja e akikës, qethja e flokëve të kokës së tij dhe dhënia lëmoshë në peshë të flokëve të tij, synetimi i tij, plotësimi i gjidhënies, përkujdesja për edukimin dhe rritjen e tij, shpenzimi për të, drejtësia në mes të tij dhe vëllezërve të tij, përkujdesja për shëndetin e tij trupor dhe mendor.

    Po ashtu i garantohet e drejta e tij në trashëgimi, vasiet, dhuratë, vakëf etj.

    1. E drejta më e madhe e fëmijës që bie mbi të dy prindërit është edukimi dhe rritja e tij me virtyte të larta dhe me moral të lavdëruar sipas Kuranit dhe Sunetit të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Fëmija duhet të edukohet në fushën e imanit, ibadetit, moralit, psikikës, shëndetit, gjendjes shpirtërore dhe asaj shoqërore të tij. Kërkohet përkrahja e tij dhe të qenët e tij krah për në rrugën e qëndrueshmërisë në fe, që ta fitojë Xhenetin dhe të shpëtojë nga Xhehenemi, ashtu siç Allahu thotë: “O ju, që besoni! Ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Et-Tehrim: 6); që do të thotë: urdhëroje familjen për të mirë dhe ndaloje nga e keqja, edukoje dhe mësoja Islamin, kështu i ruan nga zjarri i Xhehenemit.[4]
    2. Kur myslimanit i lind fëmijë, pëlqehet që sa më shpejt të përgëzohet dhe të urohet me lutje për mirësi.

    Nuk transmetohet ndonjë urim i veçantë në sunetin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, andaj kush dëshiron që ta urojë vëllanë e tij për lindjen e fëmijës, lejohet që ta urojë me fjalë të zakonshme që njerëzit i përdorin dhe që nuk bien në kundërshtim me Islamin.

    Hasan El-Basrij, Allahu e mëshiroftë, preferonte që urimi të jetë me këto fjalë: “Allahu të bekoftë në atë që të ka dhuruar, e falënderofsh Dhuruesin, e lus Allahun që fëmija të rritet dhe të jetë i sjellshëm me prindërit”, ose të thotë: “E lus Allahun që fëmija të jetë i bereqetshëm për ty dhe për umetin e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të”, dhe lutje të ngjashme me këto.

    Kurse atij që e shpreh uratën ia kthen me fjalët: “Allahu të bekoftë ty dhe pasardhësit e tu”, ose: “Allahu të shpërbleftë me të mira dhe ta dhuroftë edhe ty një fëmijë sikur ky”, dhe lutje të ngjashme me këto. Çështja është e gjerë dhe ka hapësirë në të për veprim.

    1. Pëlqehet thirrja e ezanit në veshin e djathtë të të porsalindurit menjëherë pas lindjes, që dëgjimin e tij sapo të dalë në dynja ta prekë emri i Allahut, lavdërimi dhe madhërimi i Tij, si dhe largimi i shejtanit prej tij.

    Ebu Rafia, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell që e ka parë Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke e thirrur ezanin në veshin e Hasanit, të birin e Aliut, pasi e lindi Fatimja, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.[5]

    1. Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu e di më së miri, urtësia e thirrjes së ezanit në veshin e të porsalindurit është që fëmija fjalët e para që do t’i dëgjojë të jenë fjalët e ezanit. Këto fjalë në vete e përmbajnë madhërimin dhe lavdërimin e Allahut, shehadetin (dëshminë e njësimit të Allahut) që shqiptimi i tij është i patjetërsueshëm për t’u bërë mysliman. Me një aspekt kjo është sikur t’i shqiptohen atij ritet e Islamit me ardhjen e tij në dynja, ashtu si i shqiptohet shehadeti (fjala la ilahe il-lallah) kur del nga kjo dynja. Gjurmët e fjalëve të ezanit nuk kanë pengesa që të arrijnë me shumë lehtësi prej te veshi deri në zemrën e fëmijës dhe të lënë gjurmë në të, edhe pse fëmija nuk është në dijeni për këtë. Po ashtu, me thirrjen e ezanit ikën shejtani nga fëmija. Shejtani qëndron në pritë të tij deri të lindë që pastaj ta shoqërojë për të keq, e kur shejtani i tij e dëgjon ezanin, e dobëson dhe e zemëron atë që nga momentet e para të shoqërimit të tij.

    Thirrja e ezanit e ka edhe një kuptim tjetër që vijon; thirrja e ezanit në fakt është thirrja e fëmijës drejt Allahut, fesë islame dhe ibadetit të Allahut. Kjo thirrje duhet që t’ia kalojë dhe të jetë para thirrjes së shejtanit, njësoj sikur që natyra fillestare në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit ia kaloi ndryshimit dhe çrrënjosjes së saj nga shejtani. Po ashtu ka edhe urtësi të tjera.”[6]

    1. Thirrja e ikametit në veshin e majtë të të porsalindurit nuk është nga suneti, nuk ka hadith të vërtetë që e vërteton këtë.
    2. Pëlqehet që fëmijës së porsalindur, mashkull apo femër, t’i fërkohet qiellza me hurmë. Nëse nuk gjendet hurmë, mundet me çdo gjë të ëmbël.

    Merret hurma shtypet ose mbllaçitet me buzë deri të zbutet dhe të përtypet më lehtë. Fëmijës i hapet goja dhe me hurmën e mbllaçitur i fërkohet lehtë qiellza që ta shijojë ëmbëlsinë e hurmës. Kjo është e shëndetshme për trupin e fëmijës dhe i forcon muskujt e gojës së tij.

    Ebu Musa, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Më lindi një djalë dhe e çova te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e emërtoi me emrin Ibrahim, ia fërkoi qiellzën me hurmë dhe e luti Allahun që atë ta bekojë.”[7]

    Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell që njerëzit vinin te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me fëmijët e tyre të porsalindur, ai i lutej Allahut për ta t’i bekojë dhe ua fërkonte qiellzën me hurmë.”[8]

    1. Pëlqehet për fëmijën e porsalindur të theret akika (kurban) në ditën e shtatë të lindjes së tij. Për foshnjën djalë pëlqehet të theren dy dele, ndërsa për foshnjën vajzë të theret një dele.

    Nëse për djalë theret vetëm një dele, realizohet esenca e sunetit dhe mjafton.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për nipat e vet, Hasanin dhe Husejnin, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, i theri nga dy desh.[9]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Për fëmijën djalë theren dy dele të barabarta dhe për fëmijën vajzë një dele.”[10]

    1. Akika quhet kafsha që theret për foshnjën e porsalindur pas lindjes së saj dhe është sunet i vërtetuar (sunet i fortë).

    Fëmija është dhunti dhe mirësi e Allahut për prindin, prandaj kafsha theret në shenjë falënderimi për Allahun. Po ashtu kafsha theret si vepër që e afron fëmijën tek Allahu në momentet e para të daljes së tij në dynja, theret në shenjë flijimi për fëmijën, theret me shpresë që Allahu fëmijës t’i japë shëndet dhe ta ruajë nga çdo dëm, si dhe në shenjë bamirësie për të varfrit dhe nevojtarët.

    1. Nuk ka pengesë që i varfri të marrë borxh për akika, Allahu do ta pasurojë me mirësinë e Tij dhe do t’ia mundësojë ta kthejë borxhin.

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Nëse nuk ka pasuri që ta therë akikën, le të marrë borxh. Shpresoj që Allahu do t’ia mundësojë ta kthejë borxhin, sepse ai e ka ringjallur një sunet.”[11]

    1. Për akika kushtëzohet ajo që kushtëzohet për kurbanin: kafsha të jetë deve, lopë, dele apo dhi, me të gjitha llojet e saj, patjetër duhet ta arrijë moshën e përcaktuar sheriatikisht, të jetë pa të meta që e ndalojnë vlefshmërinë e kafshës për t’u bërë kurban.

    Mosha e përcaktuar sheriatikisht:

    Për devetë është ajo që i ka mbushur pesë vjet dhe ka hyrë për të gjashtën.

    Për lopët është ajo që i ka mbushur dy vjet dhe ka hyrë për të tretën.

    Për dhitë është ajo që i ka mbushur një vit dhe ka hyrë për të dytin.

    Për delet është ajo që i ka gjashtë muaj dhe ka hyrë për të shtatin.

    Nuk lejohet për kurban kafsha qorre, që është qorre e qartë, e verbër, sepse ajo është më keq se qorrja, e cila duket qartë që syrin e ka qorr, çalamania me çalim të qartë, e sëmura me sëmundje të qartë dhe e dobëta, e cila nuk ka fare dhjamë në të, ajo e cila njërën dorë apo këmbë e ka të prerë, sepse e meta e saj është më e rëndë sesa ajo që çalon dhe çalimi i saj është i qartë, dhe të ngjashme me to.

    1. Kafsha më e mirë për akika është delja, jo deveja ose lopa, sepse Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për akika theri dele.

    Madje disa dijetarë thonë që akika është vetëm me dele dhe jo me kafshë të tjera, por shumica e dijetarëve e lejojnë që përveç deles për akika të theret edhe deveja dhe lopa.

    1. Kafsha më e mirë për akika është ajo kafshë që është më e mira për kurban: më e shëndosha, që ka më shumë mish, më e plota, më e bukura në pamje dhe më e dashura për pronarin e saj. Mashkulli nga kafshët është më i mirë për therje, nëse është më i shëndoshë dhe me mish të mirë.
    2. Therja e kafshës për akika është më e mirë se dhënia e lëmoshës në vlerën e kafshës, edhe po qe se sasia e lëmoshës është më e madhe se vlera e kafshës, sepse qëllimi nga akika është therja e kafshës dhe derdhja e gjakut për Allahun. Allahu thotë: “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (El-Enam: 162)
    3. Nga suneti është therja e akikës në ditën e shtatë të lindjes. Nëse e ther para ose pas ditës së shtatë, nuk është problem.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdo fëmijë është peng i akikës së vet.[12] Në ditën e shtatë i theret akika, i qethen flokët dhe emërtohet.”[13]

    1. Dita e lindjes së tij përfshihet në shtatë ditët, përveç nëse lind natën, në këtë rast dita që vjen pas asaj nate llogaritet dita e parë.

    Rregulli thotë që akika të theret në ditën e shtatë, që i bie të jetë dita para ditës së lindjes. Shembull: Nëse ka lindur në ditën e shtunë, akika theret në ditën e xhuma. Por, nëse ka lindur natën e shtunë (d.m.th. ditën e premte në mbrëmje), atëherë dita e premte nuk llogaritet dhe akika theret ditën e shtunë dhe jo ditën e premte.

    1. Akika nuk bie, nëse vonohet therja dhe nuk theret në ditën e shtatë. Nëse nuk e ther në ditën e shtatë, që ta arrijë qëllimin që synohet nga akika, mund ta therë kur të dojë pas saj. Pëlqehet që therja e akikës të mos vonohet deri në atë moshë, saqë fëmija e arrin moshën e pubertetit.
    2. Nuk pranohet therja e akikës para lindjes së fëmijës, sepse shkaku i akikës ende nuk ekziston. Prandaj, nuk i llogaritet akika, nëse e ther para se t’i lindë fëmija, mishi mbetet mish deleje i thjeshtë dhe jo akika.
    3. Nëse foshnja e porsalindur ndërron jetë para se t’i theret akika ose ndërron jetë në barkun e nënës pasi që t’i fryhet shpirti (d.m.th. pas muajit të katërt), ka nga dijetarët që thonë se për këtë fëmijë ligjërohet therja e akikës.

    Nëse thuhet për akikën që është një lloj njoftimi që fëmija është në rregull, ndërsa tani ai më ka ndërruar jetë, kjo atëherë nënkupton që nuk duhet të theret për këtë fëmijë më akikë. Ky mendim i dijetarëve është më i përafërt me të vërtetën. Allahu e di më së miri.

    1. Assesi nuk lejohet pjesëmarrja në një akikë, patjetër duhet kokë për kokë, që do të thotë një akikë për një fëmijë. Ky është mendimi i medhhebit hanbelij.

    Atij që i kanë lindur dy fëmijë dhe do që ta therë një lopë ose deve, akika e tij, deve ose lopë, është e vlefshme vetëm për njërin nga fëmijët dhe jo për të dytë. Këtu dallon akika nga therja e kurbanit për haxh dhe e kurbanit të përgjithshëm.

    Urtësia e saj, siç e cek Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, është: “Pasi kafsha që theret për akika është flijim për të porsalindurin, ajo që ligjërohet në këtë rast është derdhja e gjakut të plotë, që të jetë flijim i një shpirti (një kafshës) për një shpirt (për një të porsalindur).

    Po ashtu, po të lejohej pjesëmarrja në akika, nuk do të arrihej qëllimi nga akika, pra derdhja e gjakut për fëmijën. Derdhja e gjakut pranohet vetëm për njërin fëmijë, kështu që për të tjerët nuk mbetet tjetër përveç nxjerrjes së mishit për ta. Qëllimi pra, është derdhja e gjakut të kafshës për fëmijën.”[14]

    1. Kujt i lindin binjakë, nuk i mjafton një akikë, po duhet për çdonjërin të therë veç e veç. Të gjithë dijetarët janë unikë për këtë mesele.[15]
    2. Nuk lejohet therja e kafshës me nijetin e kurbanit dhe me nijetin e akikës. Prandaj kurbani nuk është i vlefshëm në vend të akikës, sepse çdonjëri prej tyre, edhe kurbani edhe akika, synohen veç e veç dhe dallojnë në mes vete në shkakun e therjes, andaj nuk mund të jetë i vlefshëm njëri në vend të tjetrit. Ky është mendimi i medhhebit malikij dhe shafij.
    3. Me mishin e akikës pëlqehet që të veprohet sikur që pëlqehet të veprohet me mishin e kurbanit; të hahet prej tij, t’u jepet lëmoshë të varfërve dhe nevojtarëve, t’u dhurohet fqinjëve, akrabave dhe shokëve.
    4. Më e mirë është që mishi i akikës të shpërndahet i zier (ose i pjekur) sesa i pazier (ose i papjekur). Kështu iu lehtësohet të tjerëve ngrënia e saj dhe shtohet bamirësia dhe falënderimi i dhuntisë.
    5. Mishi i akikës lejohet t’u shpërndahet të varfërve, fqinjëve, akrabave dhe shokëve, ose mund që t’i ftojë ata në shtëpi. Çështja është e gjerë për veprim, si do mund të veprohet.
    6. Atij që i shkojnë mysafirë në numër të madh dhe për akikën e djalit i ther më shumë se dy dele ose për akikën e vajzës më shumë se një dele, lejohet. Kjo është fetvaja e dijetarit Abdulaziz ibën Baz, Allahu e mëshiroftë.
    7. Lejohet që eshtrat e kafshës për akika të thyhen gjatë gatimit, nuk ka argument të saktë që e ndalon këtë. Kanë ardhur disa gjurmë nga të parët tanë që eshtrat e akikës nuk thyhen në shenjë optimizmi që të ruhen gjymtyrët e fëmijës. Kjo bie ndesh me adetin e njerëzve të cilët i thyejnë eshtrat gjatë gatimit dhe kjo është në dobi të tyre. Ata në këtë mënyrë plotësisht përfitojnë nga therja dhe ngrënia e kafshës. Nuk ka diçka që e ndalon thyerjen e tyre.
    8. Nëse prindërit nuk kanë therur akika për fëmijën kur ka qenë i vogël, i lejohet fëmijës kur të rritet që të therë akika për veten. Akika është sunet i vërtetuar (i fortë) dhe pasi që prindërit e tij nuk e kanë realizuar këtë sunet, nëse do, i lejohet atij ta therë akikën për veten. Janë hadithet e përgjithshme që e lejojnë një gjë të tillë dhe kjo është edhe fetvaja e dijetarit Abdulaziz ibën Baz, Allahu e mëshiroftë.[16]
    9. Pëlqehet që fëmija të emërtohet pas lindjes ose në ditën e shtatë. Më e mirë është që të mos vonohet emërtimi i fëmijës deri pas ditës së shtatë.

    Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Mbrëmë më lindi një djalë dhe e emërtova Ibrahim, sipas emrit të babait tim, Ibrahimit, alejhi selam.”[17]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdo fëmijë është peng i akikës së vet.[18] Në ditën e shtatë i theret akika, i qethen flokët dhe emërtohet.”[19]

    1. Emri është adresa e të emërtuarit, prandaj pëlqehet që fëmijës t’i jepet emër me fjalë dhe kuptim të mirë. Emërtimi me emër të mirë është edhe haku i fëmijës që bie mbi prindërit e tij.
    2. Pëlqehet emërtimi i fëmijës me këta emra:

    – Emrat më të dashur tek Allahu janë: Abdullah dhe Abdurrahman.

    – Emërtimi me disa nga emrat e bukur të Allahut duke ia shtuar përpara fjalën Abd (rob) si për shembull, Abdulaziz dhe Abdulmelik.

    – Emërtimi me emrat e pejgamberëve dhe lajmëtarëve si: Muhamed dhe Ibrahim.

    – Emërtimi me emrat e njerëzve të mirë dhe të devotshëm siç janë emrat e sahabëve dhe tabi’inëve.

    Nuk i ka hije një shtëpie islame që fëmijët e tyre të mos e kenë ndonjë emër nga emrat e lartpërmendur që preferohen.

    1. Ndalohet emërtimi i fëmijëve, meshkuj apo femra, me emra që ndalohen fetarisht, si:

    – Mbreti i mbretërve (Melikul Muluk), sunduesi i sunduesve (Sultan Es-Selatin) dhe me emra të ngjashëm me ta.

    – Emrat që janë të posaçëm për Allahun, si: Er-Rahman, El-Kudus, Es-Samed.

    – Emrat që aludojnë në adhurimin e dikujt tjetër jashtë Allahut si: Abdulkabe (rob i Qabes), Abduresul (rob i Pejgamberit).

    – Emrat që janë të posaçëm për çifutët dhe të krishterët si: Xhirxhis, Butrus, Juhana, Shem’un, Kuhin.

    1. Duhet që t’i largohemi emërtimit të fëmijëve me këta emra:

    – Emrat e tiranëve dhe të padrejtëve, si: Faraon, Karun.

    – Emrat e shejtanëve, si: Hinzib.

    – Emrat e këqij dhe të padëshiruar, si: Harb (Luftë), Mur’re (I ithët), Dhalim (Zullumqar), Asije (Mëkatare).[20]

    1. Lejohet që fëmija i vogël të marrë një epitet të caktuar, si: Ebu Filan (baba i filanit) ose Filane (baba i filanit ose filanes), ose Umu Filan ose Filane (nëna e filanit ose filanes). Kjo bëhet në shenjë nderimi dhe njoftimi për pozitën e tij, përveç asaj që te fëmija ngjall optimizëm që në të ardhmen, me lejen e Allahut, do të bëhet burrë dhe do të ketë pasardhës.
    2. Pëlqehet qethja e kokës së të porsalindurit djalë, jo vajzë, në ditën e shtatë, pasi të theret akika. Dhënia lëmoshë në peshë të flokëve të tij në vlerë të argjendit nuk është problem.

    Në qethjen e flokëve të të porsalindurit ka dobi shëndetësore dhe largohen gjëra të dëmshme.

    Përcillet që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur e theri akikën për Hasanin tha: “Oj ti Fatime, e bija ime, qethja flokët djalit dhe jep lëmoshë në peshë të flokëve të tij në vlerë të argjendit.”[21]; por hadithi nuk është i vërtetë.

    1. Synetimi i fëmijës është nga sunetet e natyrshmërisë dhe nga ritet e Islamit. Synetimi i djemve është obligim.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nga natyrshmëria janë pesë gjëra: Synetimi, rruajtja e pjesëve të turpshme, heqja e qimeve nën sqetulla, shkurtimi i thonjve dhe shkurtimi i mustaqeve.”[22]

    1. Lejohet që vajzave t’u shpohet veshi dhe të vendosin vathë, sepse është në dobi të saj. Ajo ka nevojë për zbukurim.[23]
    2. Sheriati e lehtësoi çështjen e urinës së foshnjës mashkull i cili ende ushqehet vetëm me qumështin e nënës. Urina e tij është fëlliqësi e lehtë, mjafton spërkatja, d.m.th. të hidhet ujë mbi vendin e urinës dhe nuk detyrohet larja (ose fërkimi dhe shtrydhja) e vendit. Alij ibën Ebi Talib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për urinën e foshnjës mashkull që ende ushqehet vetëm me qumështin e nënës së vet ka thënë: “Urina e foshnjës mashkull që ende ushqehet me qumësht, spërkatet, ndërsa urina e foshnjës femër, duhet të lahet.” Katade, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kjo vlen, nëse ushqehen vetëm me qumështin e nënës dhe nuk ha ushqim tjetër a, nëse ushqehen edhe me ushqim tjetër përveç qumështit të nënës, atëherë lahet edhe urina e foshnjës mashkull.”[24]

    41.Vjellja e foshnjës që ushqehet me gji:

    Nëse është me ngjyrë, sikur ta nxjerrë qumështin dhe në të ka ngjyrë të verdhë, pasi që është ndryshuar materia dhe era e tij, e vjella llogaritet e papastër.

    Nëse e vjella del nga goja e foshnjës dhe nuk i janë ndryshuar cilësitë e saj, si në rast kur foshnja sapo ka filluar të ushqehet me gji dhe nga ngopja e tepërt qumështi del nga goja (pa i ndryshuar cilësitë e veta), e vjella këtu është e pastër.[25]

    1. Pështyma dhe ligat e foshnjës janë të pastra dhe janë pastrues për gojën, nëse i bëhet pis nga vjellja. “Allahu e di që fëmija vjell shpesh dhe larja e gojës së tij është problematike, ndërsa pështyma dhe ligat i rrjedhin vazhdimisht në rrobat dhe trupin e atij që kujdeset dhe e bart foshnjën, prandaj nuk urdhëroi që rroba të lahet dhe nuk ndaloi nga falja e namazit me ato rroba dhe nuk urdhëroi që të ruhemi nga pështyma e foshnjës.”[26]
    2. Pëlqehet që për të porsalindurin dhe për të gjithë fëmijët në përgjithësi të kërkohet mbrojtje tek Allahu dhe t’u lexohet rukje, ashtu siç kërkonte mbrojtje Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për nipat e tij Hasanin dhe Husejnin, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, duke e bërë këtë lutje: “Kërkoj mbrojtje për ty (me një transmetim tjetër: Kërkoj mbrojtje për ju të dy) me fjalët e Tij të përsosura, prej së keqes së çdo shejtani dhe çdo kafshe helmuese dhe prej së keqes së syrit të keq.”[27]

     

    E lusim Allahun të na japë sukses për atë që Ai e do dhe Atë e kënaq dhe të na japë bereqet në pasardhësit tanë.

    “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (El-Furkan: 74)

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

    [1] Muslimi (1159).

    [2] Buhariu (2409), Muslimi (1829).

    [3] Nesaiu në El-Kubra (9174), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të vërtetë.

    [4] Tefsir El-Bagavij (8/169).

    [5] Ebu Davudi (5105), Tirmidhiu (1514), në zinxhirin e tij ka dobësi, Tirmidhiu dhe Hakimi e saktësuan, lejohet të punohet me hadithin sipas dijetarëve.

    [6] Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud (fq. 37).

    [7] Buhariu (5467), Muslimi (2145).

    [8] Buhariu (5467), Muslimi (286).

    [9] Nesaiu (4219), shejh Albani e saktësoi.

    [10] Ebu Davudi (2834), Tirmidhiu (1516), Nesaiu (4215), Ibën Maxhe (3162), shejh Albani e saktësoi.

    [11] El-Mugni, Ibën Kudame (9/460), Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud, Ibën El-Kajim (fq. 79).

    [12] “Është peng i akikës së vet” nënkupton që akika është flijim, çlirim nga prangat e shejtanit dhe nga pengesat e tij që fëmija të punojë për dobitë e ahiretit të tij. Ose kuptimi tjetër: I porsalinduri është peng për të mirën që i synohet atij, derisa të theret akika për të, dhe kjo nuk do të thotë që ai do të ndëshkohet në ahiret. (sh.p.)

    [13] Ebu Davudi (2834), Tirmidhiu (1522), Nesaiu (4220), Ibën Maxhe (3165), shejh Albani e saktësoi.

    [14] Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud, Ibën El-Kajim  (fq. 118).

    [15] El-Istidhkar, Ibën Abdulber (5/317), Et-Temhid (4/313).

    [16] Mexhmua Fetava Ibën Baz, (26/266).

    [17] Muslimi (2315).

    [18] Kuptimi i hadithit është qartësuar te fusnota numër 12. (sh.p.)

    [19] Ebu Davudi (2837), Tirmidhiu (1522), Nesaiu (4220), Ibën Maxhe (3165), shejh Albani e saktësoi.

    [20] Ka dallim mes këtij emri dhe emrit Asija   آسيةedhe pse në gjuhën shqipe shqiptohen njëjtë, por kuptimi mes tyre dallon, si dhe dallon dispozita, sepse emri i parë ndalohet, kurse i dyti lejohet. (sh.p.)

    [21] Tirmidhiu (1519) dhe e vlerësoi hadithin të dobët, kurse shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

    [22] Buhariu (5889), Muslimi (258).

    [23] Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud, Ibën El-Kajim  (fq. 308).

    [24] Ebu Davudi (377), Tirmidhiu (610), Ibën Maxhe (525), shejh Albani e saktësoi.

    [25] Ka nga dijetarët që të vjellën e konsiderojnë të pastër në përgjithësi, ndër ta: imam Sheukani, shejh Albani, shejh Uthejmini, e të tjerë. https://islamqa.info/ar/answers/221751/ (sh.p.)

    [26] Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud, Ibën El-Kajim  (fq. 321).

    [27] Buhariu (3371), Ebu Davudi (4737).

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan Jahiu

    Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”