Category: Çështje mjekësore

  • GJËRAT QË E PRISHIN AGJËRIMIN

    GJËRAT QË E PRISHIN AGJËRIMIN

    LLOJET E GJËRAVE QË E PRISHIN AGJËRIMIN

    Njëri lloj i gjërave që e prishin agjërimin është ai i zbrazjes, si marrëdhëniet[1], vjellja me qëllim[2] menstruacionet ose lehonia te gratë dhe bërja e hixhames.

    Ndërsa lloji tjetër është ai i mbushjes, si ushqimi dhe pija.[3]

    GJËRAT QË NUK E PRISHIN AGJËRIMIN

    Janë:

    Enema për pastrimin e zorrëve[4], pikat për syrin, pikat për veshin dhe inhalatori për astmën.

    Marrja e gjakut për analiza, gjakderdhja nga hunda, gjaku që del nga nxjerrja e dhëmbit, apo plaga.

    Vjellja që del vetë pa qëllim (pa e nxitur apo futur gishtin për të vjellë).

    Shpërlarja e gojës me kusht që uji (apo ilaçi) të mos arrijë deri në fyt.

    Pomada dhe leukoplasti (fashat ngjitëse) për mjekim.

    Gëlltitja e pështymës, e pluhurit të rrugës dhe nuhatja e erërave.

    Rregullimi i dhëmbit, nxjerrja e dhëmbit, pastrimi i dhëmbëve, përdorimi i misvakut pa aroma artificiale, përdorimi i brushës dhe pastës për dhëmbë, shpërlarja e gojës, ilaçet që përdoren për shpërlarjen e gojës, inhalatori që vendoset në gojë, shijimi i ushqimit nëse ka nevojë; të gjitha këto nuk e prishin agjërimin përderisa nuk arrijnë deri në fyt.

    Injeksionet që nuk janë ushqyese si penicilina dhe insulina, injeksioni i narkozës, vaksina, injektimi i kontrastit që jepet nëpërmjet muskujve apo venave për imazhe grafike të trupit, gastroskopia e lukthit (me kusht që tubit të mos i vendosen preparate ushqyese si yndyrë dhe lëngje), supozitorët vaginalë, supozitorët që futen në zorrën e trashë, endoskopia gjinekologjike (futja e endoskopit në mitrën e gruas) dhe vendosja e spirales.

    PËRDORIMI I SYRMËS PËR AGJËRUESIN

    Syrma (lyerja e syve me bojë për qepalla) nuk e prish agjërimin sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Megjithatë, përdorimi i saj natën është më mirë për agjëruesin. Po ashtu, lejohet përdorimi i sapunit dhe kremrave për zbukurimin e fytyrës dhe të lëkurës, si këna, kozmetika etj. Nëse kozmetika është e dëmshme për fytyrën, më mirë është të mos përdoret.[5]

    LENTE KONTAKTI (THJERRËZA)

    Agjëruesit i lejohet të përdorë lente kontakti për sy, po ashtu i lejohet ta përdorë ujin për thjerrëzat që pikohet në sy, sepse është i njëjtë me pikat për sy dhe ato nuk e prishin agjërimin, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve.

    Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk është problem që agjëruesi të përdorë pika për sy apo për vesh, edhe nëse e ndien shijen e pikave në fytin e tij. Ato nuk e prishin agjërimin, sepse nuk konsiderohen ushqim dhe pije, madje as nuk i ngjasojnë ushqimit apo pijes.”[6]

    PËRDORIMI I ZBUTËSVE PËR BUZË

    Zbutësit e buzëve dhe të hundës si kremrat dhe të ngjashmet me to, lejohen të përdoren gjatë agjërimit. Po ashtu, lejohet që buzët të lagen dhe të zbuten me ujë, mirëpo duhet pasur kujdes që uji mos të arrijë deri në lukth. E, nëse uji shkon brenda pa qëllim, agjërimi është në rregull dhe nuk prishet. Njëjtë vlen edhe për shpërlarjen e gojës, nëse uji shkon deri në lukth pa qëllim, agjërimi nuk prishet.[7]

    PËRDORIMI I MISVAKUT GJATË AGJËRIMIT

    Përdorimi i misvakut gjatë tërë ditës është prej sunetit dhe për këtë ka shumë argumente. Me përdorimin e misvakut agjëruesi nuk e humb shpërblimin e erës që del nga goja e agjëruesit, misvaku nuk e largon atë erë, sepse ajo vjen nga lukthi e jo nga goja. Agjëruesi duhet pasur kujdes nga përdorimi i misvakut me aroma artificiale si me shije limoni dhe nenexhiku, sepse ato janë shtojca që mund të arrijnë deri në fyt dhe e prishin agjërimin.

    NGA FIKHU (KUPTIMI I THELLË I FESË) I MUADHIT h

    I thanë Muadh ibn Xhebelit h: “Nuk po u pëlqen njerëzve që agjëruesi ta përdorë misvakun gjatë pasdites. Po thonë ‘era që del nga goja e agjëruesit është më e mirë tek Allahu se era e miskut’.”

    Muadhi h tha: “Subhanallah (i lavdëruar qoftë Allahu)! Po Pejgamberi ﷺ i urdhëroi ta përdorin misvakun, ai e ka ditur që nga goja e agjëruesit patjetër do të dalë erë, edhe nëse e përdor misvakun. Ndërsa ata që urdhërojnë të mos përdoret misvaku që qëllimshëm të dalë erë nga goja, në fjalët e tyre nuk ka gjë të mirë, ka veç sherr.”[8]

    Ndërsa hadithi: “Po qe se agjëroni, përdoreni misvakun gjatë ditës dhe mos e përdorni atë gjatë natës”, është i dobët.[9]

    SHIJIMI I USHQIMIT

    Nëse ka nevojë, nuk është problem për agjëruesen ta shijojë ushqimin, (duke e provuar atë me majë të gjuhës) e, pasi e provon, e nxjerr nga goja dhe nuk gëlltit diçka nga ushqimi.

    El-Hasan el-Basrij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Nuk ka pengesë që agjëruesi të shijojë mjaltin, gjalpin etj., e pastaj ta nxjerrë nga goja.”[10]

    Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk pëlqehet agjëruesi ta shijojë ushqimin pa pasur nevojë.”[11]

    Në fetvanë e Komisionit të Përhershëm të Fetvave citohet: “Agjëruesi, në esencë, nuk duhet ta provojë ushqimin, përveç nëse ka nevojë.”[12]

    NUHATJA E ERËRAVE

    Agjëruesit i lejohet nuhatja e erërave të mira, apo parfumit etj., mirëpo nuk i lejohet thithja me hundë e erëzave dhe as e avullit që del nga ushqimi, sepse mund të përmbajnë materie që mund të depërtojnë deri në lukth e kështu ta prishë agjërimin apo ta pakësojë shpërblimin e tij. Në këso rastesh, agjëruesi le ta kujtojë hadithin kudsij ku lavdërohet agjëruesi: “Ai e ka braktisur epshin e tij, ushqimin dhe pijen e tij për hir Timin.”[13]

    AGJËRIMI I ATIJ QË BËHET XHUNUB

    Nëse hyn koha e agimit dhe agjëruesi është xhunub, agjërimi i tij është në rregull. Lejohet të vonohet pastrimi nga xhunubllëku, menstruacionet dhe lehonia deri pas lindjes së agimit (hyrja e kohës së sabahut), megjithëkëtë më mirë është të nxitojë të pastrohet për shkak të faljes së namazit në kohën e vet. Nëse bëhet xhunub në gjumë, agjërimi nuk prishet, në krahasim me atë i cili masturbon gjatë ditës, ai e prish agjërimin, sepse masturbimi[14] gjatë ditës e prish agjërimin.

    DALJA E LËNGUT MEDHIJ DHE VEDIJ

     

    Dalja e lëngut medhij (paraspermal)[15] nuk e prish agjërimin, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, sepse, në esencë, nuk llogaritet nga gjërat që e prishin agjërimin dhe vështirë është të ruhesh që të mos dalë.[16]

    Ndërsa vedij është ujë i ngjitshëm i trashë i cili del pas urinimit dhe nuk del shkaku i kënaqësisë apo epshit. Ky lëng nuk e prish agjërimin dhe nuk e detyron pastrimin (e plotë të trupit), por ajo që detyrohet është të pastrohet organi dhe të merret abdes.[17]

    GJËRAT QË E PRISHIN AGJËRIMIN

    – Prej gjërave që e prishin agjërimin janë:

    Ngrënia dhe pirja me qëllim dhe çdo gjë tjetër që është në kuptim të ushqimit dhe pijes, si: marrja e injeksioneve ushqyese, të cilat përdoren si zëvendësim për ushqimin dhe pijen[18], transfuzioni i gjakut në trupin e agjëruesit dhe dializa.

    Marrëdhëniet intime, pavarësisht a ejakulon apo jo, po ashtu masturbimi duke e nxjerrë spermën me qëllim.

    Bërja e hixhames dhe donacioni (dhurimi) i gjakut.[19]

    Vjellja me qëllim.

    Çdo gjë që depërton deri në fyt me qëllim, qoftë edhe nëpërmjet hundës si pikat e hundës.

    Avulli i cili kondensohet dhe depërton në fyt.

    – Me rëndësi është të dihet se:

    Agjëruesit nuk i prishet agjërimi i tij, përderisa nuk plotësohen tri kushte:

    Të ketë dijeni për dispozitën (i padituri për dispozitën nuk bën pjesë këtu).

    Ta bëjë me vetëdije (dhe jo me harresë).

    Ta bëjë me dëshirë (dhe të mos i imponohet).

    DALJA E GJAKUT PREJ AGJËRUESIT

    Dalja e gjakut me hixhame e prish agjërimin duke u mbështetur në hadithin: “E ka prishur agjërimin ai që e ekzekuton hixhamen (mjeku) dhe atij që i bëhet hixhamja.”[20]

    Dhënia e gjakut me vetëdëshirë në sasi të madhe, si në rastin e donacionit të gjakut, e prish agjërimin. Në raste specifike dhe të domosdoshme kur duhet të dhurohet gjak, agjëruesi e prish agjërimin dhe e kompenson atë ditë pas Ramazanit.

    Ajo që del nga gjaku pa dëshirën e njeriut si gjakderdhja nga hunda, gjaku nga plaga e shkaktuar me thikë apo gjaku gjatë aksidenteve, nuk e prish agjërimin, edhe nëse del në sasi të madhe.

    Gjaku që del në sasi të vogël sikur që merret për analiza të gjakut, nuk e prish agjërimin.[21]

    DIALIZA E VESHKËVE

    Me dializë nënkuptojmë procesin e daljes së gjakut jashtë trupit, i cili pastrohet dhe po kështu kthehet në trup, duke iu shtuar disa substanca ushqyese në gjak. Për këtë shkak, dializa llogaritet nga gjërat që e prishin agjërimin.[22] Ato ditë që i sëmuri shkon në dializë, e prish agjërimin dhe ato pastaj i kompenson pas Ramazanit (kur të jetë më lehtë për të).

    O ti që je i sprovuar me dializë! Duro gjatë kësaj sprove. Ndërsa, o ti që je i shëndoshë, falënderoje Allahun për shëndetin që e posedon!

    NDËRPRERJA E AGJËRIMIT

    Kush e nis agjërimin e pastaj dëshiron ta prishë atë, duhet ta dijë se:

    Nëse agjërimi i tij është vullnetar si gjashtë ditët e Shevalit, nuk është problem nëse e prish. Pejgamberi ﷺ thotë: “Agjëruesi që agjëron vullnetarisht është udhëheqës i vetes, nëse do, agjëron e, nëse nuk do, e prish.”[23]

    A, nëse agjërimi i tij është farz si kompensimi i Ramazanit, apo agjërim për zotimin e bërë, apo agjërim për shpagim; në këto raste nuk lejohet ta prishë, përveç nëse ka arsye të shëndoshë si sëmundja etj. E, nëse e prish pa arsye, atëherë obligohet ta kompensojë atë ditë dhe prej tij kërkohet të pendohet (sepse ka bërë gjynah).[24]

    Dr. Muhamed el Munexhidi

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë e librit: Zahireja e agjëruesit (është i përkthyer në gjuhë shqipe)

    [1] Dhe masturbimi gjatë ditës. (sh.p.)

    [2] Futja e gishtit në fyt me qëllim apo nxitja e të vjellit me qëllim. (sh.p.)

    [3] Mexhmua Fetava Ibn Tejmije (25/248).

    [4] Enema apo klizmë pastrimi. Ekzistojnë disa arsye kryesore kur nevojitet një klizmë: nëse njeriu ka kapsllëk (konfirmohet nga një mjek), nëse helmohet me ushqim, nëse është e nevojshme për të injektuar medikamente me rektale. (sh.p.)

    [5] Mexhmua Fetava Ibn Baz (10/260).

    [6] Mexhmua Fetava Ibn Uthejmin (19/205).

    [7] Mexhmua Fetava Ibn Uthejmin (19/224).

    [8] Taberaniu në el-Muaxhem el-Kebir (133), Ibn Haxheri në et-Telhis (2/443) dhe thotë që zinxhiri i hadithit është i mirë.

    [9] Silsiletu el-Ehadith ed-Daife (401).

    [10] Ibn Ebi Shejbe në el-Musanaf (3/47), me zinxhir të vërtetë prej Hasan el-Basriu.

    [11] Fetava el-Kubra (4/474).

    [12] Fetava Lexhnetu ed-Daime (10/444).

    [13] Buhariu dhe Muslimi nga hadithi i Ebu Hurejrës h.

    [14] Ai që masturbon gjatë natës, agjërimi i tij i ditës është në rregull, por gjynahun e masturbimit e merr me vete. Masturbimi ndalohet dhe ai i cili e vepron, duhet të pendohet. (sh.p.)

    [15] Medhij nuk është spermë, por është lëng paraspermal i cili del nga organi gjenital në rast të epshit dhe del pa shpejtësi apo ndonjë kënaqësi. Zakonisht vjen nga mendimet ose nga fërkimet mes burrit dhe gruas ose nga shikimi që e nxit epshin. Ky lëng del edhe te meshkujt edhe te femrat. Është lëng i hollë dhe i bardhë dhe ndodh që të mos hetohet dalja e tij. Ky lëng nuk e prish agjërimin, mirëpo e prish abdesin. (sh.p.)

    [16] Fetava Ibn Baz (15/315).

    [17] Fetava el-Lexhnetu ed-Daime (10/279).

    [18] Pa marrë parasysh se ku merren injeksionet ushqyese ose me vitamina, në muskuj apo venë, e prishin agjërimin. (sh.p.)

    [19] Donacioni (dhurimi) i gjakut e prish agjërimin, ngase ndikon në trupin e njeriut sikurse ndikon hixhamja, prandaj nuk i lejohet agjëruesit që të dhurojë gjak, përveçse në raste specifike dhe të domosdoshme, ku i lejohet të dhurojë gjak dhe ta prishë agjërimin, pastaj këtë ditë e kompenson me ditë tjetër pas Ramazanit. (sh.p)

    [20] Ebu Davudi (2367), prej hadithit të Thevbanit h, shejh Albani e vlerësoi të saktë.

    [21]  Mexhmua Fetava Ibn Uthejmin (19/240).

    [22]  Fetava el-Lexhnetu ed-Daime (10/190).

    [23] Tirmidhiu (732), Ahmedi (26353), prej hadithit të Umu Hani i, shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [24] Mexhmua Ibn Baz (15/355).

  • DOBITË DHE ETIKA E AGJËRIMIT

    DOBITË DHE ETIKA E AGJËRIMIT

    Frikojuni Allahut dhe falënderoni Atë që na mundësoi ta presim muajin e Ramazanit shëndoshë e mirë. Dijeni se agjërimi është një ndër adhurimet më të dobishme dhe gjurmët e tij në pastrimin e shpirtit dhe në përmirësimin e moralit janë shumë të mëdha.

    Prej dobive të agjërimit është se ai në shpirtin e muslimanit mbjell frikërespekt dhe devotshmëri ndaj Allahut, azze ue xhel: O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (El-Bekare: 183)

    Prej dobive të agjërimit është se ia mëson njeriut përballjen dhe durueshmërinë, dhe kjo vjen si rezultat i durimit të tij prej largimit nga epshet dhe pasionet.

    Prej dobive të agjërimit është se ia mundëson njeriut të del fitimtar kundrejt epshit të tij. Shpirti i njeriut fort anon kah epshet dhe pasionet dhe kur shpirtit i plotësohet dëshira që gjithmonë ta merr atë çka e dëshiron, atëherë njeriu është në rrezik të madh prej devijimeve që përfundimi i tyre padyshim se është i keq. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Shpirti (i njeriut) është fort i prirë për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im. (Jusuf: 53)

    Prej dobive të agjërimit është se e dobëson lëvizjen e shejtanit në trupin e njeriut, për shkak se ai lëviz në trupin e birit të Ademit ashtu siç lëviz gjaku i tij në trup. Kur njeriu ia mundëson vetes të gjitha gjërat që i dëshiron epshi i tij, ia hap derën shejtanit të depërtojë më lehtë dhe ta mbisundojë mendjen dhe shpirtin e njeriut.

    Prej dobive të agjërimit është se ai ia rikujton njeriut begatitë e Allahut ndaj tij. Kur e kaplon etja dhe uria i rikujtohet se Allahu ia lehtëson atij furnizimin e ushqimeve dhe pijeve dhe e sheh se sa ka nevojë krijesa për Krijuesin dhe me këtë e rrit falënderimin ndaj Tij.

    Prej dobive të agjërimit është se ai e nxit njeriun në bamirësi ndaj fukarenjve dhe nevojtarëve. Agjëruesin kur e kaplon uria dhe etja i rikujtohet gjendja e fukarenjve dhe kjo e nxit në bamirësi dhe lëmoshë ndaj tyre.

    Prej dobive të agjërimit është se e mposht kryelartësinë dhe mendjemadhësinë ndaj njerëzve. Kur agjëron i pasuri dhe fukaraja, mbreti dhe dijetari, fisniku dhe tradhtari, atëherë robit i rikujtohet se nuk e dallon njërin prej tjetrit, përveç se devotshmëria dhe se njerëzit të gjithë janë robër të Allahut dhe për të gjithë vlejnë të njëjtat dispozita.

    Prej dobive të agjërimit është se i bashkon muslimanët dhe i afron njërin me tjetrin. Ata agjërojnë në të njëjtën kohë, e hanë iftarin në të njëjtën kohë dhe kjo ndikon në afrimin e tyre dhe largimin e përçarjeve dhe mosmarrëveshjeve.

    Prej dobive të agjërimit po ashtu është se e lehtëson veprimin e adhurimeve. Kush e vëren gjendjen e agjëruesve në Ramazan, adhurimet e tyre dhe mirësitë që i veprojnë ata, do të bindet se agjërimi është një prej shkaqeve kryesore të udhëzimit dhe e kupton thënien e Allahut, azze ue xhel: Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju” (El-Bekare: 184) dhe thënien e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem: “Agjërimi është mburojë.”

    Dhe në fund prej dobive të agjërimit është se e mbron trupin prej sëmundjeve dhe zemrën prej moraleve të shëmtuara.

    O ju agjërues!

    Dijeni se agjërimi ka disa etika që duhet të respektohen.

    Agjërues është ai person të cilit gjymtyrët e tij agjërojnë prej mëkateve dhe gjuha e tij prej gënjeshtre, përgojimi dhe shpifjes. Barku i tij prej ushqimi dhe pijeve dhe organi i tij prej epsheve. Flet fjalë që nuk e dëmtojnë agjërimin e tij, vepron vepra që nuk janë në kundërshtim me fenë e tij. Fjalët dhe veprat e tij i përngjajnë erës së cilën e nuhat ai që ulet afër personit i cili është i parfumuar me misk. Çdo njëri dëshiron t’i afrohet për shkak se ndeja me të është kënaqësi e madhe, dhe se aty nuk përgojohet, nuk barten fjalë dhe nuk dëmtohet askush. Ky është agjërimi i kërkuar prej muslimanit, e jo vetëm se largimi prej ushqimit dhe pijeve.

    Prej etikës së agjërimit është që agjëruesi mos ta teprojë me ushqim gjatë natës, por të hajë aq sa ka nevojë trupi i tij. Çdo ngrënie e tepërt trashëgon dembeli dhe përtaci dhe e largon agjëruesin prej qëllimit të vërtet të Ramazanit.

    Prej etikës së agjërimit është vonimi i syfyrit me qëllim që të fillon me agjërim me hyrjen e imsakut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja” (El-Bekare: 187)

    Prej etikës së agjërimit është përshpejtimi i iftarit nëse vërtetohet se dielli ka perënduar qoftë me shikim ose me dëgjimin e ezanit të akshamit.

    Disa njerëz bien në disa gabime gjatë muajit të Ramazanit edhe atë duke mos fjetur një pjesë të madhe të natës, e pastaj e hanë syfyrin dhe bien në gjumë një orë ose më shumë para namazit të sabahut. Ky lloj njerëzish bien në disa gabime, prej tyre:

    1- Ata e fillojnë agjërimin para kohës kur detyrohet agjërimi (d.m.th. para se të hyjë koha e imsakut).

    2- Ndoshta nuk e falin namazin e sabahut me xhemat dhe kështu i bëjnë mëkat Allahut duke e neglizhuar atë që ua ka obliguar.

    3- Ndoshta nuk e falin namazin e sabahut në kohën e duhur, dhe e falin pasi që të lind dielli. Kjo është një rrezik i madh për to për shkak se Allahu, azze ue xhel, thotë: Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet”. (El-Maun: 4-5); “Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta”. (Merjem: 59)

    Moskujdesi dhe braktisja që përmenden në dy ajetet e lartpërmendura aludojnë në atë që nuk e fal namazin në kohën e tij të duhur.

    O robër të Allahut!

    Frikojuni Allahut dhe mos e ndërtoni fenë e juaj në një anë duke e shkatërruar anën tjetër. Islami është i ndërtuar prej pesë shtyllave: Dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të vërtet vetëm se Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në Haxh, prandaj praktikoni fenë e juaj dhe mos u përçani në të.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është I sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini”. (El-Bekare: 183-184)

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • NDALESA E PIRJES SË DUHANIT

    NDALESA E PIRJES SË DUHANIT

    O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe falënderoni Atë që ju pasuroi me hallall dhe ju largoi nga harami dhe ua bëri të lejuara gjërat që janë në dobinë e juaj për fenë dhe dynjanë dhe ju largoi nga ajo e keqja për arsye se ajo ua dëmton fenë dhe dynjanë e juaj. Ushqimi me gjëra të lejuara lë gjurmë të mira në shëndetin e njeriut dhe sjelljen e tij për arsye se ai ushqehet me ushqim të lejuar kurse të ushqyerit me haram lë gjurmë të këqija në trupa dhe sjellje për arsye se ato janë ushqyer me gjëra të ndaluara.

    Nga gjërat e ndaluara me të cilat kohëve të fundit janë sprovuar shoqëritë e muslimanëve është edhe duhani. Ky ves i keq është përhap aq shumë sa që ka filluar ta pinë edhe të vegjlit edhe të mëdhenjtë kurse pirja e tij t’i rrezikojë shëndetet e njerëzve. Për të çuditur është gjendja e atyre që e pinë!! Nuk turpërohen aspak para masës nga pirja e duhanit haptazi dhe nxjerrjen e tymit nga goja duke e drejtuar atë drejt fytyrave të njerëzve dhe duke mos e respektuar shenjtërinë e mexhlisit. Nëse e sheh se ndonjëri i pështynë tjetrit në fytyrë ose ia shfryn hundët përpara, si do të jetë reagimi dhe dëmi dhe mohimi i kësaj vepre?! Nxjerrja e tymit nga goja dhe drejtimi i tij kah fytyrat e njerëzve është vepër më e ligë dhe më e pamoralshme, mirëpo çështja është ashtu si ka ardhur në një hadith ku i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nëse nuk të vjen turp vepro çka të duash”.

    O ju robër të Allahut, sa janë ngritur zërat për mohimin e pirjes së tij dhe sa paralajmërime mjekësore i kanë cekur rreziqet e tij dhe sa fetva nga dijetarët e kanë cekur ndalesën e tij dhe sa libra dhe broshura janë shkruar dhe botuar dhe përhapur që e sqarojnë dëmin e tij?! Megjithatë ata që e pinë duhanin nuk i përgjigjen këtyre thirrjeve dhe nuk i pranojnë ato këshilla sepse janë bërë robër të duhanit dhe nuk mund ta largojnë këtë ves nga vetvetja. Vetëm se imani dhe përpjekja e sinqertë dhe trimëria burrërore janë cilësi që kush i posedon mund ta largojë mirëpo këto cilësi sot mungojnë te shumica e njerëzve.

    Pirja e duhanit është e dëmshme për trupin dhe fenë dhe pasurinë dhe shoqërinë. Në vazhdim do t’i përmend ato dëme një nga një.

    Dëmi i tij në trup:

    Dëmi i tij në trup vjen për arsye se e dobëson trupin në përgjithësi dhe e dobëson zemrën dhe shkakton sëmundjen e kancerit dhe sëmundjen e tuberkulozit dhe e nxit kollin dhe i nxin dhëmbët dhe e nxit dëmtimin e tyre. Po ashtu e dëmton gojën dhe fytin edhe atë me dëmtime serioze. Për më tepër mundeni t’i ktheheni librave mjekësore dhe këshillave të tyre.

    Dëmi i tij në fe:

    Pirja e duhanit është shkak që njeriut t’i rëndohen adhurimet dhe nënshtrimet e në veçanti agjërimi dhe ndeja në xhami dhe prezenca në mexhliset e diturisë. Çdo gjë që e pengon njeriun të arrijë deri te e mira ajo është e keqe dhe e dëmshme. Duhani është shkak për atë që e pinë të përzihet me njerëz me moral të ligë dhe të degjeneruar dhe të largohet nga njerëzit e mirë dhe të hajrit. Te sa të rinj ka qenë shkak duhani që të futen nëpër lokale të fëlliqura dhe të përzihen me njerëz të ligë në moral dhe me atë të ndikohen dhe të devijojnë në moral dhe sjelljet e tyre të ndryshojnë.

    Dëmi i duhanit në pasuri:

    Pyete atë që e pinë duhanin se sa të holla i shpenzon në ditë?! Ndoshta është i varfër dhe nuk i mjafton ushqimi për një ditë e një natë, megjithatë i jep përparësi duhanit para gjërave tjera të rëndësishme. E pengon veten e ndoshta edhe fëmijët e tij që të kënaqen me gjëra të lejuara e të mira dhe atë kënaqësi e zëvendëson me duhan i cili as nuk pasuron, e as nuk të largon nga uria. Kjo është gjendja e të varfrit.

    Kurse i pasuri shpenzon të holla të shumta për blerjen e duhanit ndërsa dihet se shpenzimi i tepërt nuk lejohet dhe se ata që shpenzojnë tepër janë vëllezërit e shejtanit.

    Dëmi i pirjes së duhanit në shoqëri:

    Ai që e pi duhanin vetëm se i jep pasqyrë të keqe shoqërisë ku jeton dhe i jep pasqyrë të keqe atij që e shoqëron duke e nxjerrë duhanin drejt fytyrave të njerëzve dhe duke i dëmtuar shëndetet e tyre. Çështja u zgjerua edhe më tepër derisa njerëzit filluan t’i dëmtojnë të tjerët me pirjen e duhanit nëpër zyre, qendra tregtare, makina, autobusë, etj. Përmendet me një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e dëmton një musliman vetëm se më ka dëmtuar dhe ai që më ka dëmtuar vetëm se e ka dëmtuar Allahun”.

    Madje pirja e duhanit i pengon edhe melekëve. Përcillet në një hadith të vërtet: “Melekët dëmtohen nga ajo që dëmtohen njerëzit”.

    Nga dëmet e duhanit për shoqërinë është shkaktimi i zjarreve dhe djegieve të shtëpive dhe objekteve ku shpesh ndodh që njerëzit i harrojnë cigaret dhes dhe më vonë vjen deri te djegia dhe me atë shkaktohen humbje të mëdha në të holla dhe shpeshherë edhe në njerëz. Po ashtu nga dëmet shoqërore është hedhja e cigareve nëpër rrugë duke i bërë ato të papastra dhe shpesh ndodh që ato cigare të bien në duart e fëmijëve dhe ata të fillojnë nga fëmijëria e tyre të thithin tymin e duhanit i cili pa dyshim se do lë pasoja të mëdha në jetën e tyre dhe në shëndetin e tyre.

    Këto ishin disa nga dëmet në shoqëri, në pasuri, në fe dhe në trup të cilat vijnë si rezultat i pirjes së duhanit. A ka mundësi ata që e pinë duhanin të na e cekin një dobi apo disa nga dobitë e pirjes së duhanit karshi këtyre dëmeve të pirjes së tij? Çudi e madhe se si i kanë humbur mendjet e tyre?

    Ti i cili je sprovuar me pirjen e duhanit, të thërrasim me një këshillë të sinqertë të përshpejtosh në pendim nga ky ves i keq dhe ta lësh për hir të Allahut dhe për hir të shëndetit tënd. Kush e lë një vepër për Allah, Allahu ia zëvendëson me diçka më të mirë. Pastaj mos harro diçka, o ti i cili e pi duhanin, se ti do të bëhesh një shëmbëlltyrë e keqe për fëmijët e tu nëse je prind, për nxënësit e tu nëse je mësues dhe me këtë i bën padrejtësi vetes po edhe të tjerëve. Nëse e lë do të bëhesh një shembull i mirë për të tjerët, prandaj bëhu shembull i mirë dhe jo i keq.

    Kthimi në të vërtetën është më i miri se sa mbetja në të kotën dhe vazhdimësia në të. Mos e lejo veten të të mashtrojnë pasimi i verbër dhe mendjelehtit e të vazhdosh të pish duhanin.

    O muslimanë, ashtu si ndalohet pirja e duhanit ndalohet edhe shitja e tij dhe tregtia me të dhe importi i tij. Pasuria e fituar nga ajo është haram dhe tregtia me të është e pavlerë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur Allahu ia ndalon një popullit ngrënien e diçkaje ia ndalon po ashtu edhe vlerën e tij”.

    Ai i cili e shet këtë duhan vetëm se i ka bërë dy gjynahe të mëdha:

    I pari: E ka përhap këtë gjynah në mesin e muslimanëve dhe u ka shërbyer material të keq.

    I dyti: Shitësi i duhanit ushqehet nga pasuria e fituar haram dhe mbledh pasuri haram kurse njeriu në Ditën e Kiametit është përgjegjës për atë që e ha dhe atë që e tubon nga pasuria.

    Shejh Dr. Salih Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • AGJËRIMI VULLNETAR

    AGJËRIMI VULLNETAR

    MUNDËSI E PASTËR

    Ata që punojnë me ndërrime dhe nëpër rajone të izoluara, kanë mundësi të madhe për agjërim vullnetar. Kur janë në ndërrim të natës, e kanë më lehtë gjatë ditës të agjërojnë, sepse pushojnë dhe flenë. Kështu e kishte zakon një punëtor i cili tregon se i agjëronte gjashtë ditët e Shevalit, tri ditët për çdo muaj etj. gjatë javëve kur ishte në ndërrimin e natës.

    AGJËRIMI I DITËVE TË BARDHA

    Pëlqehet të agjërohen për çdo muaj dita e 13-të, e 14-të dhe e 15-të e muajve hënorë, duke u mbështetur në hadithin e Ebu Dherrit h, i cili tregon: “Na urdhëroi Pejgamberi ﷺ t’i agjërojmë gjatë muajit tri ditët e bardha.”[1] E kanë marrë emrin ditët e bardha shkaku i dritës që del nga hëna e plotë e cila e ndriçon qiellin gjatë natës. Hëna në ato net shfaqet e plotë, duket e qartë dhe me dritë që e zbardhon natën e, pasi drita i përfshin ato net, i përshtatet rastit që ato ditë të përfshihen me adhurim.

    AGJËRIMI I TRI DITËVE NË ÇDO MUAJ

    Pejgamberi ﷺ e porositi Ebu Hurejrën h t’i agjëronte për çdo muaj nga tri ditë.

    Kur duhet të agjërohen këto ditë? A detyrohet të agjërohen të pandara?

    Përgjigjja: “Lejohet të agjërohen rresht njëra pas tjetrës, apo të ndara kurdo brenda muajit.”

    U pyet Aisha i nëse Pejgamberi ﷺ i agjëronte tri ditë për çdo muaj. U përgjigj: “Po.” E i thanë: “Cilat ditë brenda muajit i agjëronte?” U tha: “Nuk ua vinte mendjen se cilave ditë të muajit t’i agjërojë.”[2]

    Pejgamberi ﷺ thoshte: “Agjërimi i tri ditëve në çdo muaj është njëlloj sikur të ketë agjëruar tërë vitin.”[3]

    I porositi disa sahabë t’i agjëronin nga tri ditë, prej tyre, Ebu Hurejrën, Kehmes el-Hilalin, Ebu Dherin, Abdullah ibn Amrin, Ebu Derdanë dhe Umu Selemen j.

    Pëlqehet që agjërimi i këtyre tri ditëve të jetë në ditët e bardha. Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Pejgamberi ﷺ lajmëroi se agjërimi i tri ditëve në çdo muaj është njëlloj sikur të ketë agjëruar tërë vitin, mirëpo më e mira është që agjërimi i tyre të bëhet në ditët e bardha.”[4]

    Shpresohet për atë i cili i agjëron këto ditë me nijet për gjashtë ditët e Shevalit, t’i shkruhen atij dy shpërblime.

    Po qe se dëshiron këto tri ditë t’i agjërojë në ditët e bardha (d.m.th. në ditën e 13-të, të 14-të dhe të 15-të të muajve hënorë), mirëpo ditën e 13-të të muajit Dhulhixhe nuk mundet ta agjërojë për shkak se është prej ditëve të Teshrikut (dita e 4-të e Kurban Bajramit). Dijetari, Ibn Bazi, Allahu e mëshiroftë, për këtë thotë: “Mund të agjërohet dita e 14-të dhe e 15-të e muajve hënorë e, nëse do ta agjërojë të 16-tën apo ndonjë ditë tjetër të muajit të Dhulhixhes që t’i plotësojë tri ditë, nuk është problem, kjo është më e mirë.[5]

    AGJËRIMI NË DITËN E XHUMA

    Ka ardhur ndalesë që dita e xhuma të veçohet me agjërim, përveç kur asaj dite i shtohet një ditë para apo mbrapa, apo ai i cili e ka zakon të agjërojë një ditë po dhe një ditë jo, apo ai i cili i agjëron tri ditët e bardha, apo e agjëron ditën e Arafatit (apo ditën e Ashurës) dhe agjërimi i këtyre ditëve bie në ditën e xhuma.[6]

    Po ashtu “i lejohet myslimanit në ditën e xhuma t’i agjërojë ditët e mbetura nga Ramazani, qoftë edhe nëse e veçon xhumanë me agjërim.”[7]

    Ai që agjëron në ditën e xhuma, pa e agjëruar një ditë para, pra ditën e enjte, duhet që agjërimit të ditës së xhuma t’ia shtojë agjërimin e ditës së shtunë dhe kështu t’i ikën ndalesës që e xhumaja të veçohet me agjërim, sepse Pejgamberi ﷺ i tha nënës së besimtarëve Xhuvejrije bint El-Harith i, e cila kishte agjëruar në ditën e xhuma: “Dje a mbajte agjërim?” – Iu përgjigj: “Jo.” – Pejgamberi ﷺ i tha: “E ditën e nesërme a do të agjërosh?” – Iu përgjigj: “Jo.” – “Atëherë mos agjëro as sot.” – i tha Pejgamberi ﷺ. [8]

    GRUAJA DHE AGJËRIMI VULLNETAR

    Nuk i lejohet gruas të agjërojë nafile si gjashtë ditët e Shevalit etj. pa lejen e burrit të saj, duke u mbështetur në hadithin: “Nuk i lejohet gruas të agjërojë (agjërim vullnetar) duke qenë burri i saj i pranishëm (në shtëpi apo në vend), pa lejen e tij.”[9] Kjo, për shkak se haku ndaj burrit është më i madh se agjërimi vullnetar.

    Nëse ka filluar të agjërojë nafile pa lejen e tij dhe ai e urdhëron ta prishë agjërimin, duhet t’i bindet atij.

    Nëse burri e lejon të agjërojë e më pas e ndërron vendimin dhe kërkon prej saj ta prishë agjërimin, duhet t’i bindet edhe në këtë rast.

    Gruaja që burrin e saj nuk e ka të pranishëm, mund të agjërojë pa lejen e tij.

    Ndërsa, për sa i përket kompensimit të ditëve të mbetura, nëse hapësira është e gjerë (d.m.th. ka kohë për t’i kompensuar), nuk lejohet të agjërojë pa lejen e tij, por, nëse nuk ka hapësirë dhe koha është e ngushtë për t’i kompensuar ditët e mbetura nga Ramazani, p.sh., nëse është në muajin Shaban, në dhjetëshin e fundit të tij dhe ajo i ka dhjetë ditë të paagjëruara, në këtë rast agjëron pa marrë leje prej tij.[10]

    AGJËRIMI NË MUAJIN MUHARREM

    Muaji Muharrem[11] e ka marrë këtë emër nga fakti se bën pjesë në muajt e shenjtë[12], duke e vërtetuar në këtë formë shenjtërinë e tij.

    Pejgamberi ﷺ tha: “Agjërimi më i mirë pas atij të muajit Ramazan është agjërimi në muajin e Allahut, muajin Muharrem.”[13] Dedikimi i muajit si muaj i Allahut është në shenjë nderimi dhe madhështie, gjë që aludon në vlerën dhe madhështinë e tij si muaj. Pëlqehet të agjërohet sa më shpesh gjatë këtij muaji.

    Hasen Basriu, Allahu e mëshiroftë, tha: “Allahu e filloi vitin me një muaj të shenjtë dhe e përfundoi me një muaj të shenjtë, andaj tek Allahu, pas muajit Ramazan, nuk ka muaj më të mirë brenda vitit se muaji Muharrem.”[14]

    Fjalët e Pejgamberit ﷺ në hadith: “Agjërimi më i mirë pas atij të muajit Ramazan është agjërimi në muajin e Allahut, muajin Muharrem”:

    Sqarojnë se muaji Muharrem është muaji më i mirë pas muajit Ramazan.

    Ia dedikoi Vetes muajin Muharrem si “muaji i Allahut” në shenjë nderimi dhe madhështie të agjërohet në të.

    Më mirë është të mos agjërohet krejt muaji, duke u bazuar në fjalën e Aishes i: “Nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ  që e ka agjëruar ndonjë muaj plotësisht përveç Ramazanit.”[15] Megjithatë, nëse e agjëron, nuk është problem.

    Ditët më të mira të muajit Muharrem janë dhjetëshi i parë.[16]

    AGJËRIMI I ASHURËS[17]

    Pejgamberi ﷺ tha: “Për agjërimin e ditës së Ashurës, shpresoj që Allahu të m’i shlyejë gjynahet e vitit që kaloi.”[18]

    Agjërimin e plotë të Ashurës agjëruesi e merr kur nijetin e bën natën (d.m.th. deri në kohën e imsakut). Ngritja në syfyr llogaritet bërje e nijetit.

    Lejohet të agjërohet Ashura veç në ditën e dhjetë, megjithatë atij që i ka ikur mundësia t’ia shtojë ditës së dhjetë një ditë para, pra ditën e nëntë të Muharremit, pëlqehet ta agjërojë ditën e njëmbëdhjetë të Muharremit. Kështu i kundërshton hebrenjtë dhe e merr shpërblimin.

    Më e mirë për udhëtarin është ta agjërojë këtë ditë përderisa nuk ndien vështirësi.

    Sahabët i kalitnin fëmijët e tyre ta agjëronin  ditën e Ashurës dhe kur ata ndienin uri, i mashtronin me lodra.

    Lejohet të veçohet dita e dhjetë e Muharremit me agjërim, por më mirë është t’i bashkëngjitet një ditë para. Agjërimi i ditës së nëntë dhe të dhjetë është më i mirë se agjërimi i ditës së dhjetë dhe të njëmbëdhjetë, sepse Pejgamberi ﷺ tha: “Nëse jam gjallë vitin që vjen, do ta agjëroj ditën e nëntë.”[19] Kur i bashkëngjitet dita e nëntë ditës së dhjetë, kështu i kundërshton hebrenjtë dhe është më e sigurt për ta qëlluar ditën e Ashurës.

    Myslimani e mbron veten duke bërë vepra që ia shlyejnë gjynahet, si: agjërimi i Ramazanit, i ditës së Ashurës, i ditës së Arafatit, marrja e abdesit, falja e namazit, xhumaja, përputhja e aminit të namazfalësit me aminin e melekëve (pasi ta lexojë suren Fatiha në namaz).

    Këto vepra i shlyejnë mëkatet e vogla e, nëse ato njeriu nuk i ka, atëherë shpresohet t’i lehtësohen mëkatet e mëdha. E, nëse ato nuk i ka, atëherë i rriten gradat dhe i shtohen të mirat.[20]

    Dita e Ashurës është ditë madhështore nga ditët e Allahut, ashtu siç erdhi në hadith[21], ndërsa Allahu thotë: “… Dhe përkujtojua atyre ditët e Allahut….” (Ibrahim: 5).

    Agjërimi i ditës së saj i shlyen mëkatet e vitit të kaluar. Të përbashkët me agjërimin e ditës së Arafatit e ka shlyerjen e mëkateve, saqë me agjërimin e këtyre dy ditëve, pastrimi nga mëkatet bëhet më i fortë dhe i rriten shkallët besimtarit më lart.

    Agjërimi i ditës së Ashurës ka qenë i patjetërsueshëm para se të detyrohet agjërimi i muajit Ramazan, e më pas u bë i pëlqyeshëm.

    Në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe e fundosi në det faraonin dhe popullin e tij. Kjo ndodhi na kujton me disa gjëra:

    – Allahu i shpëton të dashurit, besimtarë e vepërmirë që e kanë frikë Allahun.

    – Sado umeti të jetë i dobët, mos u dëshpëro, por mbështetu në Allahun dhe bëj sabër.

    – Zullumqarëve u vjen fundi.

    – Allahu me bujarinë e Tij për një vepër të vogël (agjërimin e një dite), fal shumë (shlyen mëkatet e një viti).

    Ibn Abasi h përcjell se Pejgamberi ﷺ kur erdhi në Medine i gjeti hebrenjtë duke e agjëruar ditën e Ashurës dhe u tha: “Çfarë është kjo ditë që ju po e agjëroni?” I thanë: “Kjo ditë është madhështore, Allahu në të e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga armiku i tyre dhe Musai këtë ditë e agjëroi në shenjë falënderimi dhe po e agjërojmë edhe ne.” Pejgamberi ﷺ tha: “Ne kemi më shumë të drejtë dhe jemi më meritorë për Musain sesa ju.”; kështu që Pejgamberi ﷺ e agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi të agjërohet.”[22]

    Hadithi tregon se për begatinë e shpëtimit, Allahu u falënderua me agjërim të kësaj dite, ndërsa Pejgamberi ﷺ nuk la që hebrenjtë të veçohen në këtë ditë me mirësi, por i kundërshtoi duke ia shtuar (ditës së dhjetë) një ditë para me agjërim.

    Dita e Ashurës është ditë madhështore ku Allahu e shpëtoi Musain n nga faraoni, armiku i tij. Hadithi: “Ne kemi më shumë të drejtë dhe jemi më meritorë për Musain sesa ju”; tregon se myslimani është më meritor t’i do të gjithë të dërguarit e Allahut, të besojë në ta, t’ua respektojë pozitën dhe t’i urrejë armiqtë e tyre: “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij…” (El-Bekare: 285). Ndërsa, kush i dallon duke besuar në disa prej tyre e duke i mohuar disa të tjerë, apo beson në ndonjërin prej tyre, por nuk e ndjek rrugën e tij, nuk ka të drejtë të lidhet me të apo të flasë në emër të tij.

    Hadithi: “Mos e veçoni me agjërim ditën e xhuma nga ditët e tjera, përveç nëse ndonjëri nga ju agjëron dhe agjërimi i tij përputhet me këtë ditë”[23]; tregon që urrehet të veçohet xhumaja me agjërim. Ndërsa, nëse dita e Ashurës bie në ditën e xhuma, nuk ka pengesë dhe nuk urrehet që kjo ditë të veçohet me agjërim. Myslimani e agjëron me qëllim të Ashurës, sepse është ditë që ligjërohet agjërimi i saj, e jo se është ditë e xhuma.

    Pamjet që i transmetojnë disa kanale televizive me rastin e ditës së Ashurës ku shohim njerëz që veprojnë gjëra të ndryshme (rrahje të vetvetes me shpulla dhe vajtime), që Islami nuk urdhëron në to, por ato janë risi në fe dhe kjo na bën ta falënderojmë Allahun për udhëzimin tonë në sunet. E jona është të mundohemi të pakësojmë nga ato veprime të ndaluara, duke ua mësuar njerëzve fenë e Allahut dhe sunetin.

    Secili hadith që transmetohet prej Pejgamberit ﷺ për vlerën e lyerjes së syve, e ngjyrosjes, e pastrimit, e vizitës së varrezave etj. në ditën e Ashurës, është i pavërtetë dhe gënjeshtër.

    Asnjë hadith ku përmendet vlera e ditës së Ashurës, nuk është i saktë. Hadithet e vetme të sakta janë ato ku përmendet agjërimi, shlyerja e mëkateve të një viti dhe shpëtimi i Musait dhe popullit të tij nga faraoni. Vlera dhe madhështia e këtyre haditheve na mjaftojnë.

    Hadithi: “Ai që tregohet zemërgjerë me familjen e tij në ditën e Ashurës, Allahu do t’i japë me bollëk gjatë tërë vitit”, nuk është i vërtetë.[24]

    A lejohet t’i jepet përparësi agjërimit vullnetar para atij farz, si: kompensimi i ditëve të mbetura etj.? Dijetarët kanë përmendur disa mendime, por më mirë dhe shpërblim më të madh ka nëse i jepet përparësi agjërimit farz. Gruaja që e ka pasur nijet ta agjërojë ditën e Ashurës, por i kanë ardhur menstruacionet, shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit, “sepse po të mos ishte pengesa e menstruacioneve, nijeti i saj ka qenë i sinqertë të agjërojë. Njeriu kur e bën nijetin për vepër të mirë dhe i merr shkaqet, por, ndërkohë, në mes të tij dhe arritjes deri tek ajo vepër, del ndonjë pengesë të cilën nuk mund ta largojë, atij i shkruhet shpërblimi sikur ta kishte bërë atë vepër.”[25]

    Gruaja që e ka zakon ta agjërojë ditën e Ashurës, mirëpo e pengon ndonjë arsye apo sëmundja të agjërojë, shpresohet të marrë shpërblimin sikur të atij që agjëron. Ajo shpërblehet vendosmërinë dhe për keqardhjen që e ndien në zemër që po i ikën ky adhurim. Le të mundohet ta kompensojë këtë dhembje sadopak duke qenë në shërbimin e agjëruesve nga familjarët e saj.

    Po qe se ndonjëri e agjëron ditën e Ashurës në ditën e xhuma (dhe nuk i shton ditë para apo pas) për shkak se Ashura i bie në ditën e xhuma, agjërimi i tij është në rregull. Ndalesa është që xhumaja të synohet që të veçohet me agjërim. Megjithatë, nëse ia shton agjërimit të Ashurës, që bie në ditën e xhuma, ditën e shtunë, do të ishte më mirë.

    AGJËRIMI NË MUAJIN SHABAN

    Usame ibn Zejd h thotë se e pyeta Pejgamberin ﷺ dhe i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Nuk të kam parë të agjërosh ndonjë muaj tjetër sikurse e agjëron muajin Shaban?”  Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Muaji Shaban është muaj të cilin njerëzit e anashkalojnë, ngase është në mes të muajit Rexheb dhe Ramazan. Ky është muaj që ngriten veprat te Zoti i botëve dhe unë dëshiroj që të më ngriten veprat duke qenë me agjërim.”[26]

    Janë tri lloje të ngritjes dhe prezantimit të veprave tek Allahu: ngritja ditore, javore dhe vjetore.

    Lloji i parë: Ngritja ditore; për çdo ditë veprat ngrihen dy herë, një herë brenda natës dhe një herë brenda ditës. Vepra e ditës ngrihet në fund të ditës, kurse vepra e natës në fund të natës.

    Lloji i dytë: Prezantimi javor; dy herë brenda javës prezantohen veprat, ditën e hënë dhe ditën e enjte.

    Lloji i tretë: Ngritja vjetore; veprat e një viti ngrihen përnjëherë në muajin Shaban.

    Është edhe një ngritje tjetër e veprave, ajo e pasvdekjes. Kur të vijë exheli, veprat e jetës në tërësi ngrihen dhe prezantohen para Allahut dhe me këtë mbyllen edhe fletushkat e veprave. Ky është prezantimi i fundit.

    Hadithin “Kur të plotësohet gjysma e Shabanit, mos agjëroni pas asaj dite”[27], shumica e dijetarëve e dobësojnë e disa të tjerë e vlerësojnë të saktë.

    Qëllimi i hadithit është se ndalohet të fillohet me agjërim pasi të plotësohet gjysma e Shabanit, ndërsa ai që e ka agjëruar shumicën e muajit, ia ka qëlluar sunetit.[28]

    Lejohet të agjërohet pasi të plotësohet gjysma e muajit Shaban:

    Ai që ka agjëruar në gjysmën e parë.

    Ai që e ka traditë të agjërojë vullnetarisht, si ditën e hënë dhe të enjte.

    Ai që duhet t’i kompensojnë ditët e mbetura nga Ramazani i kaluar, apo ka ndonjë zotim apo shpagim.

    AGJËRIMI NË DHJETË DITËT E DHULHIXHES

    Agjërimi i dhjetë ditëve të Dhulhixhes për atë që ka ditë të paagjëruara nga Ramazani i fundit:

    Ai që ka ditë të mbetura të paagjëruara, e ka për obligim të fillojë me to para se të fillojë me agjërim vullnetar, sepse farzi është më i rëndësishëm se vepra nafile. Ky është mendimi më i saktë i dijetarëve.[29]

    Ai që ka ditë të paagjëruara, duhet të nxitojë të fillojë me agjërimin e tyre, në vend se të fillojë me agjërimin e nafileve. Kështu e kryen borxhin gjatë këtyre ditëve me vlerë.

    AGJËRIMI NË DITËN E ARAFATIT

    Agjërimi i ditës së Arafatit i shlyen mëkatet e dy viteve. Agjërimi në ditën e Kurban Bajramit dhe në tri ditët pas tij (d.m.th. në ditët e Teshrikut) është i ndaluar dhe ai që e agjëron, bën mëkat. Këtu bën përjashtim haxhiu që nuk ka mundësi të bëjë el-hedjin (kurbanin)[30].

    Allahu thotë: “Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh …” (El-Kasas: 68); “përqendrimi në Islam bëhet vetëm me nënshtrime dhe bindje.”[31]

    Agjërimi i një dite i fshin mëkatet e më shumë se shtatëqind ditëve (pra, të dy viteve). Pejgamberi ﷺ tha: “Agjërimi i ditës së Arafatit, shpresoj dhe llogaris që Allahu t’i shlyejë mëkatet e vitit që kaloi dhe vitit të ardhshëm”.[32]

    Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “I shlyen për dy vjet mëkatet e atij që e agjëron.”[33]

    Sa thesar i vërtetë dhe mundësi e madhe. Pasha Allahun, nuk mund të barazohet me asnjë shumë!

    Udhëtarit, përderisa nuk gjen vështirësi ta agjërojë ditën e Arafatit gjatë udhëtimit të tij, i lejohet të agjërojë.

    Atë që e pengon ndonjë arsye e shëndoshë ta agjërojë ditën e Arafatit, si i sëmuri, gruaja me menstruacione apo gjidhënësja, dhe nga tradita e tyre ka qenë ta agjërojë ditën e Arafatit për çdo vit, ai apo ajo do të shpërblehet sipas nijetit dhe nga pamundësia e agjërimit të kësaj dite, le të përkujdeset të veprojë vepra të tjera bamirësie dhe nga ato që ia shlyejnë mëkatet.

    Më e mira dhe më e përsosura tek agjërimi vullnetar i përcaktuar, ku në të bën pjesë edhe agjërimi i ditës së Arafatit, është që nijeti për agjërim të bëhet natën me qëllim që shpërblimi të jetë i plotë dhe jo i mangët dhe me ngritjen për syfyr llogaritet se është bërë nijeti.

    Sahabët kujdeseshin për agjërimin e fëmijëve të tyre në ditët e mëdha në vlerë sikurse dita e Arafatit, që të mësohen me adhurim dhe respektim të riteve.

    Dijetari, Ibn Bazi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Nëse dita e Arafatit bie në ditën e xhuma, nuk ka pengesë dhe nuk urrehet që kjo ditë të veçohet me agjërim. Myslimani në këtë rast e agjëron të xhumanë si ditë Arafati, e jo se është ditë xhumaje…”[34]

    Po qe se ia bashkëngjit edhe ditën e enjte, do të ishte më mirë, duke e pasur faktin që dita e enjte në këtë rast i bie të jetë, 8 Dhulhixhe, prej dhjetëshit të parë të Dhulhixhes, që janë ditë më vlerë.

    Gruas që i ka mbetur ndonjë ditë e Ramazanit pa agjëruar dhe ditën e Arafatit e agjëron me nijet kompensimi të ditës së humbur të Ramazanit, agjërimi i saj pranohet si kompensim dhe shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit të Arafatit[35]. E njëjta gjë vlen edhe për agjërimin e ditës së Ashurës, nëse agjërohet me nijet kompensimi.[36]

    DITËT E TESHRIKUT

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Agjërimi në ditët e Teshrikut nuk lejohet, përveçse për haxhiun që nuk ka mundësi të bëjë el-hedjin (kurbanin)[37].”[38]

    Ditët e Teshrikut, dita e 11-të, e 12-të dhe e 13-të e Dhulhixhes, janë tri ditët që vijnë pas ditës së Kurban Bajramit. Ndryshe quhen edhe si ditët e Minës, ngase në këto ditë haxhilerët qëndrojnë në Mina dhe njashtu janë ditë të gjuajtjes së guralecëve në Xhemarat.

    Shumica e dijetarëve nuk e lejojnë agjërimin e këtyre ditëve, qoftë agjërim vullnetar apo kompensim të ditëve të humbura apo shkaku i zotimit dhe, sipas tyre, ai që i agjëron ditët e Teshrikut, agjërimi i tij është i pavlefshëm.

    Ditët e Teshrikut janë ditë feste dhe nuk lejohet të agjërohen. Pejgamberi ﷺ ndaloi që këto ditë të agjërohen dhe tha: “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënieje, pirjeje dhe përmendjeje të Allahut.”[39]

    Hadithi na e bën të qartë se me ngrënie dhe pirje në ditët e Bajramit, myslimani ndihmohet për ta përmendur dhe adhuruar Allahun. Kështu bëhet falënderimi i plotë për begatitë, ndërsa ai që i përdor begatitë e Allahut për t’i mëkatuar Atij, vetëm se i mohoi ato, e pas kësaj Allahu mund t’ia zhdukë ato.

    VEÇIMI I DITËS SË FUNDIT TË VITIT ME AGJËRIM

    Të veçohet dita e fundit e vitit (hënor) me adhurim si me agjërim apo namaz është risi në fe.

    Nuk lejohet thënia: Përfundoje vitin me agjërim.

     

    Dr.Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë nga libri: “Zahireja e agjëruesit”

     

    [1] Nesaiu (2422), shejh Albani e vlerësoi të mirë.

    [2] Muslimi (1160).

    [3] Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Abdullah ibn Amru k

    [4] Fetava Ibn Uthejmin (20/11).

    [5] Fetava Ibn Baz (15/380).

    [6] Fet’hul Barij (4/347).

    [7] Fetava el-Lexhnetu ed-Daime (10/347).

    [8] Buhariu (1986).

    [9] Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Ebu Hurejrës h.

    [10] Sherh Rijadu es-Salihin, Ibn Uthejmin (3/641).

    [11] Muaji Muharrem është muaji i parë hixhri dhe është muaji i fundit nga muajt e shenjtë. (sh.p.)

    [12] Muajt e shenjtë janë katër: Dhulkade, Dhulhixhe, Muharrem dhe Rexheb. Këta muaj janë me shumë vlerë dhe të bekuar dhe në ta ndalohet rreptësisht lufta. Muaji i parë prej katër muajve të shenjtë është muaji Rexheb, kurse i fundit është Muharrem, edhe pse në kalendarin hixhri në radhitje muaji Rexheb është i shtati, kurse Muharrem është i pari. (sh.p).

    [13] Muslimi (1163).

    [14] Lataiful Mearif, Ibn Rexheb (fq. 36).

    [15] Buhariu dhe Muslimi.

    [16] Lataiful Mearif (fq. 35).

    [17] Dita e Ashurës bie në ditën e dhjetë të muajit Muharrem, të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve të mëhershëm dhe bashkëkohorë, në këtë aludojnë hadithet, këtë kuptim e përmban vetë fjala (Ashura) dhe kjo është e njohur te dijetarët e gjuhës. Ashura është emër islam dhe si emër nuk është njohur në periudhën para Islamit. (Burimi: Muaji Muharrem – Dr. Salih el Munexhid) (sh.p.)

    [18] Muslimi (1162).

    [19] Muslimi (1134).

    [20] Sherh Nevevij ala Muslim (3/113).

    [21] Hadithi: “Ashura është ditë nga ditët e Allahut.” Shënon Muslimi (1892).

    [22] Buhariu (3943), Muslimi (1130).

    [23] Muslimi (1144).

    [24] El-Menar el-Munif (fq. 11-112), Silsiletu el-Ehadith ed-Daife (6724).

    [25] Fetava nurun ala ed-derb, Ibn Uthejmin (11/2).

    [26] Nesaiu (2357), shejh Albani e vlerësoi si të mirë në es-Sahiha (1898).

    [27] Ebu Davudi (2337), Tirmidhiu (738), Ibn Maxhe (1651).

    [28] Fetava Ibn Baz (2357), shejh Albani e vlerësoi të mirë.

    [29] Fetava Ibn Baz (15/395).

    [30] Haxhiu që haxhin e ka Temetu apo Kiran (dy lloje të haxhit) dhe nuk ka mundësi të therë kurban. (sh.p.)

    [31] El-Akide et-Tahavije (fq.43).

    [32] Muslimi (1162).

    [33] Sherh Nevevij ala Muslim (8/51).

    [34] Fetava Ibn Baz (51/414).

    [35] Por, ajo më e mira është që kompensimi i ditëve të humbura të Ramazanit të bëhet jashtë ditës së Arafatit, njëkohësisht, ta agjërojë ditën e Arafatit me nijet agjërimi vullnetar, e më pas t’i agjërojë ditët e humbura të Ramazanit dhe kështu të bashkojë në mes të dy mirësive, mirësisë së kompensimit dhe mirësisë së agjërimit të ditës së Arafatit. (Shih: Fetava el-Lexhnetu ed-Daime (10/398).) (sh.p.)

    [36] Fetava Nurun ala ed-Derb, Ibn Uthejmin (2/11).

    [37] Haxhiu që haxhin e ka Temetu apo Kiran (dy lloje të haxhit) dhe nuk ka mundësi të therë kurban. (sh.p.)

    [38] Buhariu (1998), prej hadithit të Ibn Omerit dhe Aishes j.

    [39] Ebu Davudi (2813), Nesaiu (4230), prej hadithit të Aishes i, Albani e saktësoi.

  • SHËNDET PËR TRUPIN!

    SHËNDET PËR TRUPIN!

    Agjërimi na mëson të punojmë për Allahun, me Allahun dhe në rrugë të Allahut, të sinqertë për Allahun dhe duke e kërkuar përkrahjen e Allahut. Megjithëkëtë, agjërimi, po ashtu, është përkujdesje dhe mbrojtje për trupin.

    – Prej dobive shëndetësore të agjërimit:

    E lehtëson trupin dhe e pastron nga helmet.

    I ripërtërin qelizat dhe indet.

    E përmirëson tretjen dhe absorbimin e ushqimit.

    E forcon kuptimin dhe e hap diapazonin e të menduarit.

    E mbron trupin nga trombi në venë, nga reumatizmi dhe nga problemet me zemër.

    – Obligimet fetare nuk lidhen me dobitë trupore, mirëpo lejohet të përmenden kalimthi.

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • DOBITË DHE ETIKA E AGËRIMIT

    DOBITË DHE ETIKA E AGËRIMIT

    Frikojuni Allahut dhe falënderoni Atë që na mundësoi ta presim muajin e Ramazanit shëndoshë e mirë. Dijeni se agjërimi është një ndër adhurimet më të dobishme dhe gjurmët e tij në pastrimin e shpirtit dhe në përmirësimin e moralit janë shumë të mëdha.

    Prej dobive të agjërimit është se ai në shpirtin e muslimanit mbjell frikërespekt dhe devotshmëri ndaj Allahut, azze ue xhel: O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (El-Bekare: 183)

    Prej dobive të agjërimit është se ia mëson njeriut përballjen dhe durueshmërinë, dhe kjo vjen si rezultat i durimit të tij prej largimit nga epshet dhe pasionet.

    Prej dobive të agjërimit është se ia mundëson njeriut të del fitimtar kundrejt epshit të tij. Shpirti i njeriut fort anon kah epshet dhe pasionet dhe kur shpirtit i plotësohet dëshira që gjithmonë ta merr atë çka e dëshiron, atëherë njeriu është në rrezik të madh prej devijimeve që përfundimi i tyre padyshim se është i keq. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Shpirti (i njeriut) është fort i prirë për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im. (Jusuf: 53)

    Prej dobive të agjërimit është se e dobëson lëvizjen e shejtanit në trupin e njeriut, për shkak se ai lëviz në trupin e birit të Ademit ashtu siç lëviz gjaku i tij në trup. Kur njeriu ia mundëson vetes të gjitha gjërat që i dëshiron epshi i tij, ia hap derën shejtanit të depërtojë më lehtë dhe ta mbisundojë mendjen dhe shpirtin e njeriut.

    Prej dobive të agjërimit është se ai ia rikujton njeriut begatitë e Allahut ndaj tij. Kur e kaplon etja dhe uria i rikujtohet se Allahu ia lehtëson atij furnizimin e ushqimeve dhe pijeve dhe e sheh se sa ka nevojë krijesa për Krijuesin dhe me këtë e rrit falënderimin ndaj Tij.

    Prej dobive të agjërimit është se ai e nxit njeriun në bamirësi ndaj fukarenjve dhe nevojtarëve. Agjëruesin kur e kaplon uria dhe etja i rikujtohet gjendja e fukarenjve dhe kjo e nxit në bamirësi dhe lëmoshë ndaj tyre.

    Prej dobive të agjërimit është se e mposht kryelartësinë dhe mendjemadhësinë ndaj njerëzve. Kur agjëron i pasuri dhe fukaraja, mbreti dhe dijetari, fisniku dhe tradhtari, atëherë robit i rikujtohet se nuk e dallon njërin prej tjetrit, përveç se devotshmëria dhe se njerëzit të gjithë janë robër të Allahut dhe për të gjithë vlejnë të njëjtat dispozita.

    Prej dobive të agjërimit është se i bashkon muslimanët dhe i afron njërin me tjetrin. Ata agjërojnë në të njëjtën kohë, e hanë iftarin në të njëjtën kohë dhe kjo ndikon në afrimin e tyre dhe largimin e përçarjeve dhe mosmarrëveshjeve.

    Prej dobive të agjërimit po ashtu është se e lehtëson veprimin e adhurimeve. Kush e vëren gjendjen e agjëruesve në Ramazan, adhurimet e tyre dhe mirësitë që i veprojnë ata, do të bindet se agjërimi është një prej shkaqeve kryesore të udhëzimit dhe e kupton thënien e Allahut, azze ue xhel: Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju” (El-Bekare: 184) dhe thënien e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem: “Agjërimi është mburojë.”

    Dhe në fund prej dobive të agjërimit është se e mbron trupin prej sëmundjeve dhe zemrën prej moraleve të shëmtuara.

    O ju agjërues!

    Dijeni se agjërimi ka disa etika që duhet të respektohen.

    Agjërues është ai person të cilit gjymtyrët e tij agjërojnë prej mëkateve dhe gjuha e tij prej gënjeshtre, përgojimi dhe shpifjes. Barku i tij prej ushqimi dhe pijeve dhe organi i tij prej epsheve. Flet fjalë që nuk e dëmtojnë agjërimin e tij, vepron vepra që nuk janë në kundërshtim me fenë e tij. Fjalët dhe veprat e tij i përngjajnë erës së cilën e nuhat ai që ulet afër personit i cili është i parfumuar me misk. Çdo njëri dëshiron t’i afrohet për shkak se ndeja me të është kënaqësi e madhe, dhe se aty nuk përgojohet, nuk barten fjalë dhe nuk dëmtohet askush. Ky është agjërimi i kërkuar prej muslimanit, e jo vetëm se largimi prej ushqimit dhe pijeve.

    Prej etikës së agjërimit është që agjëruesi mos ta teprojë me ushqim gjatë natës, por të hajë aq sa ka nevojë trupi i tij. Çdo ngrënie e tepërt trashëgon dembeli dhe përtaci dhe e largon agjëruesin prej qëllimit të vërtet të Ramazanit.

    Prej etikës së agjërimit është vonimi i syfyrit me qëllim që të fillon me agjërim me hyrjen e imsakut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja” (El-Bekare: 187)

    Prej etikës së agjërimit është përshpejtimi i iftarit nëse vërtetohet se dielli ka perënduar qoftë me shikim ose me dëgjimin e ezanit të akshamit.

    Disa njerëz bien në disa gabime gjatë muajit të Ramazanit edhe atë duke mos fjetur një pjesë të madhe të natës, e pastaj e hanë syfyrin dhe bien në gjumë një orë ose më shumë para namazit të sabahut. Ky lloj njerëzish bien në disa gabime, prej tyre:

    1- Ata e fillojnë agjërimin para kohës kur detyrohet agjërimi (d.m.th. para se të hyjë koha e imsakut).

    2- Ndoshta nuk e falin namazin e sabahut me xhemat dhe kështu i bëjnë mëkat Allahut duke e neglizhuar atë që ua ka obliguar.

    3- Ndoshta nuk e falin namazin e sabahut në kohën e duhur, dhe e falin pasi që të lind dielli. Kjo është një rrezik i madh për to për shkak se Allahu, azze ue xhel, thotë: Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet”. (El-Maun: 4-5); “Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta”. (Merjem: 59)

    Moskujdesi dhe braktisja që përmenden në dy ajetet e lartpërmendura aludojnë në atë që nuk e fal namazin në kohën e tij të duhur.

    O robër të Allahut!

    Frikojuni Allahut dhe mos e ndërtoni fenë e juaj në një anë duke e shkatërruar anën tjetër. Islami është i ndërtuar prej pesë shtyllave: Dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të vërtet vetëm se Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në Haxh, prandaj praktikoni fenë e juaj dhe mos u përçani në të.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është I sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini”. (El-Bekare: 183-184)

     Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • SI TA SHFRYTËZOJMË MUAJIN E RAMAZANIT?

    SI TA SHFRYTËZOJMË MUAJIN E RAMAZANIT?

    1. Na bëri hije sezona e mirësive dhe na erdhën ditët e dhuntive, mëshirës, bekimeve, pranimit të lutjeve, mbarësisë dhe shumëfishimit të të mirave, pra na erdhi Ramazani, muaji i faljes së gjynaheve dhe i lirimit nga zjarri i Xhehenemit.

    Allahu thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (El-Bekare: 185)

    Dhe thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El-Bekare: 183)

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kur të vijë muaji Ramazan, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët.”[1]

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër, janë shlyese të mëkateve të bëra në mes tyre, për ata që nuk kanë bërë mëkate të mëdha.”[2]

    Dhe thotë, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush e agjëron muajin Ramazan me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme. Kush ngritet natën e Kadrit me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[3]

    Me një transmetim tjetër: “Kush falet (namazin e teravive) me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[4]

    “Me besim” d.m.th. me bindje të plotë që kjo është e vërtetë dhe adhurim, dhe se Allahu është Ai që e bëri të ligjshëm agjërimin dhe namazin e natës dhe nxiti për në ta.

    “Llogarit në shpërblimin e Allahut” d.m.th. e kërkon shpërblimin nga Allahu, prandaj me vullnet agjëron dhe falet natën dhe e shpreson shpërblimin e Allahut, me shpirtmirësi dhe kënaqësi në shpirt, nuk e llogarit të rëndë dhe të mundimshëm agjërimin dhe namazin e tij, dhe ato i kryen me sinqeritet vetëm për Allahun.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kur vjen nata e parë e Ramazanit, prangosen shejtanët dhe të pabindurit nga xhindët, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe nuk hapet asnjë derë e tij, hapen dyert e Xhenetit dhe nuk mbyllet asnjë derë e tij, dhe një thirrës thërret: ‘O kërkues i së mirës vepro, o kërkues i së keqes freno.’ Për çdo natë Allahu liron robër nga zjarri i Xhehenemit.”[5]

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me një hadith tjetër thotë: “I nënçmuar qoftë ai që hyn në Ramazan dhe del prej tij pa iu falur mëkatet atij.”[6]

    1. Agjërimi është nga adhurimet e mëdha dhe të vlefshme që shpërblimet e tij shumëfishohen dhe sevapet e tij rriten. Allahu e veçoi për Veten dhe shpërblimi i agjërimit i takon vetëm Atij, ashtu siç erdhi në një hadith kudsij (të shenjtë) ku Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, përcjell: “Allahu thotë: ‘Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij, përveç agjërimit, ai më takon Mua dhe Unë shpërblej për të… pasha Atë në të cilin shpirti i Muhamedit është në Dorën e Tij, era që del nga goja e agjëruesit tek Allahu është më e mirë sesa era e miskut. Agjëruesi i ka dy gëzime: njërin kur çel iftar dhe tjetrin kur e takon Zotin me agjërimin e tij’.

    Në një transmetim tjetër që e shënon imam Muslimi: “Çdo vepër e birit të Ademit shumëfishohet, e mira shpërblehet me dhjetë dhe shumëfishohet deri në shtatëqind; dhe Allahu thotë: ‘Përveç agjërimit, Unë shpërblej për të, sepse robi Im e braktisi epshin dhe ushqimin e tij vetëm për hir Timin’.”[7]

    Ebu Umame, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se e pyeta Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të, cila vepër është më e vlefshme? U përgjigj: “Kapu për agjërimin, sepse nuk ka të barabartë me të.”[8]

    1. Ramazani është muaji i durimit, kurse durimi shpërblehet me Xhenet. Allahu u premtoi durimtarëve shpërblime të mëdha të pakufizuara, të papërcaktuara e pa masë dhe thotë: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.” (Ez-Zumer: 10)

    Allahu thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (El-Bekare:153). Komentuesi i njohur i Kuranit, Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë, thotë se fjala “durim” në ajet për qëllim e ka agjërimin[9], ashtu siç erdhi në hadith: “Agjërimi i muajit të durimit dhe tri ditëve nga çdo muaj (ditët e bardha) e largojnë urrejtjen dhe armiqësinë nga gjoksi”[10]. Pra, muaji i durimit është muaji Ramazan.

    “Sipas këtij mendimi të Muxhahidit, agjërimi dhe namazi në ajet erdhën proporcionalisht, ku agjërimi e largon agjëruesin nga epshet dhe ia shton asketizmin në dynja, kurse namazi e largon nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar si dhe në të lexohet Kurani, i cili ia rikujton ahiretin.”[11]

    Ramazani e përfshin edhe durimin edhe namazin bashkërisht, gjatë Ramazanit shpeshtohen namazi, duatë dhe lutjet drejt Allahut.

    1. Dijetari Ibën Rexheb, Allahu e mëshiroftë, tha: “Në muajin Ramazan besimtari ballafaqohet me dy lloje të xhihadit (përpjekjes): xhihadit gjatë ditës me agjërim dhe xhihadit gjatë natës me namaz nate.

    Ai që i bashkon këto dy lloje të xhihadit (përpjekjes), ua jep hakun dhe bën durim në to, e merr shpërblimin e tij pa masë.”[12]

    1. Namazi i teravive në Ramazan është nga namazi i natës dhe shpërblimi për faljen e teravive është i madh. Kufizimi i teravive në njëmbëdhjetë rekate është më i vlefshëm, sepse kështu vepronte Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, edhe pse nuk ka asnjë pengesë që numri i rekateve të shtohet. Çështja është e gjerë dhe, falënderimi i takon Allahut, që në të ka hapësirë veprimi.
    2. Kush i fal teravitë në xhami, më e mira është që t’i përfundojë teravitë së bashku me imamin dhe ta marrë shpërblimin sikurse të jetë falur natën. Falja e teravive me më shumë se një imam në një xhami, për xhematin llogaritet sikurse të jenë falur me një imam.
    3. Nga vlerat dhe mirësitë e agjërimit është se agjërimi ndërmjetëson për robin në ditën e Kiametit, ashtu siç erdhi në hadith: “Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për robin në ditën e Kiametit. Agjërimi thotë: ‘O Zot! Unë e pengova nga ushqimi dhe epshet gjatë ditës, mundësoma të ndërmjetësoj për të.’ Kurani thotë: ‘Unë e privova nga gjumi gjatë natës, mundësoma të ndërmjetësoj.’ Tha: ‘Edhe agjërimit edhe Kuranit u jepet leje që të ndërmjetësojnë’.”[13]
    4. Nga vlerat dhe mirësitë e agjërimit është të veçuarit e një dere të posaçme në Xhenet nëpër të cilën do të hyjnë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër përveç tyre, ashtu siç erdhi në hadith: “Vërtet në Xhenet është një derë e cila quhet Rejan, nëpër të cilën ditën e Kiametit do të hyjnë vetëm se agjëruesit dhe askush tjetër përveç tyre. Do të thirret nga ajo derë ku janë agjëruesit? Pasi të hyjnë ajo derë mbyllet dhe nuk do të mund të hyjë në të askush tjetër.”[14]
    5. Ramazani është muaji i edukimit në devotshmëri, madje devotshmëria është synimi më i madh i agjërimit, ashtu siç Allahu thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El-Bekare: 183)

    Me devotshmëri nënkuptojmë që robi të vendosë para vetes paramburojë, me zbatimin e urdhrave të Allahut dhe me largimin nga ndalesat që i ka ndaluar Allahu, e cila e mbron nga zemërimi, ndëshkimi dhe qortimi i Allahut.

    Robi nëpërmjet devotshmërisë e arrin shoqërimin e Allahut, dashurinë e Tij, përkrahjen e Tij, fisnikërinë e Tij, mbrojtjen e Tij dhe lehtësimin e çështjeve, faljen e gjynaheve dhe rritjen e shpërblimeve, e fiton Xhenetin dhe lumturinë e dynjasë dhe ahiretit.

    Agjërimi myslimanin e edukon dhe e vetëdijeson për mbikëqyrjen e Allahut dhe e mëson që në punën e tij ta synojë vetëm Fytyrën e Allahut si dhe ta frenojë veten nga haramet, ashtu siç erdhi në hadith: “Kush nuk e braktis fjalën e keqe dhe të punuarit me të, Allahu nuk ka nevojë që ai ta braktisë ushqimin dhe pijen e tij.”[15]

    Omer ibën El-Abdulaziz, Allahu e mëshiroftë, tha: “Frikërespekti ndaj Allahut nuk është në agjërimin gjatë ditës dhe në faljen e namazit gjatë natës dhe bërjen e mëkateve në mes të tyre, por frikërespekti ndaj Allahut është në braktisjen e asaj që Allahu e ndaloi dhe në veprimin e asaj që Allahu e detyroi. E kujt pas kësaj i jepet hairi, kjo është mirësi mbi mirësi.”[16]

    1. Agjërimi myslimanin e ndihmon ta frenojë veten, t’i ruajë gjymtyrët, ta thyejë pasionin dhe kënaqësinë, ia ngushton rrugët shejtanit të depërtojë tek ai me cytjet e tij, si dhe e ndihmon ta përmbajë zemërimin, t’i durojë dëmtimet e të tjerëve kundrejt tij, të pastrojë shpirtin nga e liga dhe nga morali i keq. Me një fjalë agjërimi është pastrim dhe pastërti për shpirtin.

    Ashtu siç Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Agjërimi është mburojë.[17]Kur të agjërojë ndonjëri nga ju, le të mos flasë fjalë të ndyta dhe le të mos bërtasë. Nëse ndodh (eventualisht) që tjetri ta shajë apo ta sulmojë, atëherë le të thotë: Unë jam agjërueshëm.”[18]

    Agjërimi “në dynja është paramburojë nga mëkatet me thyerjen e pasionit dhe kënaqësisë dhe me ruajtjen e gjymtyrëve, kurse në ahiret mburojë nga zjarri i Xhehenemit, sepse ai e mposht epshin dhe e frenon kënaqësinë dhe pasionin, të cilat janë nga armatimi i shejtanit.”[19]

    Agjërimi “ka ndikim të mahnitshëm në ruajtjen e gjymtyrëve të jashtme dhe fuqisë së brendshme… Agjërimi e ruan shëndetin e zemrës dhe të gjymtyrëve dhe ua kthen atë që nga to e marrin epshi dhe pasionet. Agjërimi, pra qenka ndihmësi dhe përkrahësi më i madh për në devotshmëri.”[20]

    1. Kur agjëruesi ta realizojë devotshmërinë në zemër, pastaj ajo do të reflektojë në gjymtyrët e tij duke iu bindur urdhrave të Allahut, duke e ruajtur veten nga mëkati, duke qenë i kënaqur me caktimin e Allahut, duke qenë i durueshëm gjatë sprovave dhe duke qenë falënderues gjatë begative, dhe duke qenë i drejtë e i sinqertë në thënie dhe vepra.

    Xhabir ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Kur të agjërosh, le të agjërojë edhe dëgjimi, shikimi dhe gjuha jote nga gënjeshtra dhe nga mëkati. Mos e lëndo shërbëtorin dhe bëhu serioz e i qetë gjatë ditës kur agjëron, dhe mos e bëj ditën e agjërimit t’i ngjajë ditës që nuk agjëron në të.”[21]

    1. Ramazani është muaj i pendimit të sinqertë dhe i kthimit kah Allahu, duke i braktisur mëkatet dhe gjynahet, duke ndier keqardhje për bërjen e mëkateve të mëhershme, duke qenë të vendosur që në të ardhmen të mos iu kthehemi atyre si dhe duke ua kthyer padrejtësitë e bëra njerëzve (ato që ndërlidhen me të drejtat e njerëzve): “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që ta arrini shpëtimin!” (En-Nur: 31)

    Në Ramazan më veç lehtësohen mundësitë, për të penduarit hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit, prangosen shejtanët dhe thirrësi thërret: “O kërkues i së mirës vepro”; si dhe për fitimtarët hapet dera e lirimit nga zjarri i Xhehenemit.

    Në esencë, pendimi është i detyruar në çdo kohë dhe nga çdo mëkat, mirëpo në Ramazan është më se i kërkuar dhe më i detyruar, sepse Ramazani është sezonë e adhurimit, në të zbresin mëshira dhe bekimet, dhe Allahu e premtoi faljen e mëkateve dhe të gjynaheve.

    Kush nuk përfiton gjatë këtij muaji, kur do të përfitojë?! Kush nuk e arrin faljen e Allahut në këtë muaj, kur do ta arrijë?! Me të vërtetë i privuar realisht është ai që privohet nga mirësia e këtij muaji.

    1. Ramazani është muaji i Kuranit, i cili i tëri përnjëherë zbriti në Ramazan, në natën e Kadrit, nga libri amzë ‘Levhi Mahfudhi’ në qiellin e dynjasë i quajtur ‘Bejtul Izzeh’, ashtu siç Allahu thotë: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.” (El-Kadr: 1), dhe thotë: “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.” (Ed-Duhan: 3)

    Leximi i Kuranit në Ramazan është nga dukuritë e mëdha të përpjekjes në ibadet që duhet të shtohet gjatë natës dhe ditës. Xhibrili, alejhi selam, për çdo natë të Ramazanit ia lexonte Kuranin Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ashtu siç e përcjell Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte më bujari ndër njerëzit dhe bujaria e tij edhe më tepër shtohej në Ramazan pasi e takonte Xhibrilin për çdo natë dhe e lexonin bashkërisht Kuranin. Kjo e bënte Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të jetë më bujar në mirësi se era e lehtë e freskët.”[22]

    Muhamed ibën Shihab Ez-Zuhrij, Allahu e mëshiroftë, kur vinte Ramazani thoshte: “Ramazani është muaj i leximit të Kuranit dhe i dhënies së ushqimit.”[23]

    Andaj Ramazani është mundësi e madhe për t’iu kthyer sa më mirë Kuranit duke e lexuar, studiuar, medituar, mësuar dhe duke u edukuar me të.

    Përpjekje dhe vetëm përpjekje, ndoshta Allahu do të të shkruajë nga fitimtarët në Ramazan: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (El-Ankebut: 69)

    1. Të parët tanë të mirë e shpeshtonin leximin e Kuranit në Ramazan, në namaz dhe jashtë namazit, dhe kur hynte Ramazani e braktisnin çdo gjë tjetër dhe merreshin me ibadet.

    Ata shumë shpesh e bënin hatme Kuranin në Ramazan, disa e përfundonin për tri net, disa të tjerë për shtatë, e kishte nga ata që e përfundonin për çdo natë.[24]

    Kjo ishte shkaku i bereqetit që Allahu ua kishte dhënë në kohë si dhe, rol luante edhe sinqeriteti në nijetin e tyre dhe përkujdesja për kohën e tyre. S’ka dyshim që kjo dallon nga njeriu në njeri, sepse gjendjet, angazhimet dhe punët e tyre dallojnë te çdonjëri, kurse i suksesshëm dhe me fat është ai që atij Allahu i jep sukses.

    1. Fjalën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Kush e bën hatme Kuranin për më pak se tri ditë, nuk e kupton atë”[25], dijetarët thonë se për qëllim është nëse bëhet në vazhdimësi, kurse në kohë të vlefshme, sikurse muaji i Ramazanit e në veçanti dhjetë ditët e fundit, ose vende të vlefshme, sikurse në Meke për vizitorin dhe jo për vendasin e saj, pëlqehet shpeshtimi i leximit të Kuranit me qëllim që të shfrytëzohen koha apo vendi. Kjo është thënie e imam Ahmedit dhe Is’hak Er-Rahavejh dhe të tjerëve, si dhe këtë mendim e përforcon të vepruarit e të tjerëve kësisoji.[26]
    2. Dhikri (përmendja e Allahut) është jetë, pastrim dhe rehati për zemrën, e kënaq të Gjithëmëshirshmin, e largon shejtanin, i fshin gjynahet, dhe ata që bëjnë dhikër vazhdimisht do të jenë para të tjerëve në ditën e Kiametit dhe atyre u është premtuar shpërblim i madh, ashtu siç Allahu thotë: “…dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.” (El-Xhumua: 10), dhe thotë: “…përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (El-Ahzab: 35)

    Andaj agjëruesi është mirë ta shpeshtojë përmendjen e Allahut, në çdo kohë, në çdo moment dhe në çdo gjendje, në veçanti dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes, dhikrin pas namazeve, dhe dhikrin në kohë, gjendje dhe shkaqe të ndryshme, gjatë ditës dhe natës.

    Agjëruesi është mirë t’i shpeshtojë fjalët: subhanallah, elhamdulilah, la ilahe il-llah, uAllahu ekber. Ai që i thotë këto fjalë i mbillet një pemë në Xhenet, ato janë fjalët më të dashura tek Allahu dhe më të dashura te Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se çdo gjë mbi të cilën lind dielli (dynjaja dhe çfarë ka në të).

    Prandaj gjuha jote le të jetë në vazhdimësi e lagur nga të përmendurit e Allahut.

    1. Duaja është ibadet dhe arma e besimtarit, gjëja më e ndershme tek Allahu si dhe zbatim i urdhrit të Allahut: “Zoti juaj ka thënë: ‘Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem’!” (Gafir: 60)

    Në mes të ajeteve ku Allahu flet rreth agjërimit, Allahu na nxiti për lutje dhe dua dhe thotë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” (El-Bekare: 186)

    Në një hadith Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Tre personave nuk iu kthehet lutja: agjëruesit derisa të çelë iftar, imamit (udhëheqësit) të drejtë dhe atij që i është bërë padrejtësi.”[27]

    Në një hadith tjetër: “Allahu për çdo ditë dhe për çdo natë të Ramazanit liron robër nga zjarri i Xhehenemit, dhe çdonjëri nga ta e ka nga një lutje të pranuar.”[28]

    Prandaj agjëruesi duhet të përulet para Allahut dhe t’i lutet me këmbëngulje, duke i shfrytëzuar gjendjet dhe kohët e vlefshme, si: në sexhde, në pjesën e tretë të natës, kur çel iftar, në kunut në namazin e vitrit, në mes ezanit dhe ikametit, në dhjetëshin e fundit të Ramazanit. Ai që e shpeshton trokitjen e tij nëpër dyer, ka shpresa që t’i hapen atij.

    1. Ramazani është muaj i shpenzimit dhe i lëmoshës, i bujarisë dhe i fisnikërisë, i ndihmës së të ngratëve dhe të nevojtarëve. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të ishte më bujari ndër njerëzit dhe bujaria e tij edhe më tepër shtohej në Ramazan pasi e takonte Xhibrilin. Kjo e bënte Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të jetë më bujar në mirësi se era e lehtë e freskët.”[29]

    Ne në Profetin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e kemi shëmbëlltyrën më të mirë.

    Ebu Bekër ibën Ebi Merjem, Allahu e mëshiroftë, tha: “I dëgjoja të vjetrit tanë duke thënë: ‘Kur të vijë Ramazani, ai vjen si pastrues (i mëkateve). Dhe thoshin: Në Ramazan shtrijeni dorën dhe shpenzoni, sepse ajo që e shpenzoni shumëfishohet, sikurse shpenzimi në rrugë të Allahut’.”[30]

    Imam Ez-Zuhrij, Allahu e mëshiroftë, kur hynte muaji Ramazan thoshte: “Ramazani është muaj i Kuranit dhe i dhënies së ushqimit.”[31]

    1. Dhënia e sadakasë është nënshtrim i madh dhe është dëshmi dhe argument për imanin e sinqertë të atij që e jep. Sadakaja i bën hije ditën e Kiametit atij që e jep, ajo e mbron nga ndëshkimi i Allahut, ajo e ruan nga përfundimi i keq dhe nga sëmundjet, ajo ia shlyen mëkatet dhe e fik zemërimin e Allahut, ajo është shkak për bereqet në pasuri dhe shtim në risk, atij që e jep Allahu ia zëvendëson, ia shumëfishon dhe ia rrit derisa ajo të bëhet më e madhe se mali. Andaj shpeshtojeni dhënien e sadakasë në Ramazan.
    2. Nga bujaria në Ramazan është dhënia iftar agjëruesit. Shpërblimi është i madh, ashtu siç erdhi me një hadith ku Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush i jep iftar agjëruesit, do ta marrë shpërblimin sikurse të atij që agjëroi, pa iu pakësuar asgjë agjëruesit nga shpërblimi i agjërimit të tij.”[32]
    3. Muaji Ramazan është muaj i mbajtjes së lidhjeve farefisnore, i faljes dhe i tolerancës, andaj të parët dhe më meritorët me vizitën, me bujarinë, me butësinë dhe me mëshirën tënde ndaj tyre, le të jenë familjarët dhe të afërmit, e në veçanti të varfrit nga ta.

    Ai që i mban lidhjet farefisnore Allahu ia lehtëson riskun e tij, i jep bereqet në jetën e tij dhe e mbron nga përfundimi i keq.

    1. Agjërimi i Ramazanit, robit ia rikujton dhuntinë e madhe të Allahut mbi të, si dhe është rikujtim praktik për urinë e të uriturve dhe mjerimin e të varfërve dhe të ngratëve. Ai që e shijon dhembjen e urisë dhe etjes gjatë ditës për një muaj, do të kthjellet dhe do të vetëdijësohet rreth atij që shumicën e jetës së tij e jeton i uritur, kështu që do të bashkëndiejë me të varfrit dhe të ngratët dhe do të shpenzojë për ta.
    2. Muaji i Ramazanit, umetin e edukon të jetë unik dhe bashkë, jo të përçarë dhe të ndarë, ashtu siç Allahu thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” (El-Huxhurat: 10), dhe thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin.” (Et-Teube: 71)

    Myslimanët agjërojnë bashkërisht, bëjnë iftar bashkërisht me thirrjen e një ezani dhe përkujdesen për faljen e namazit me xhemat dhe faljen e namazit të teravive.

    1. Umreja është nga adhurimet e mëdha si dhe, shlyese e mëkateve dhe ajo e largon varfërinë e atij që e kryen. Kryerja e umres në Ramazan ka shpërblim më të madh ashtu siç Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kryerja e umres në Ramazan është e barabartë me haxhin[33], ose me kryerjen e haxhit me mua.”[34]
    2. Në Ramazan pëlqehet përpjekja dhe shtimi në ibadet, ditën dhe natën, si dhe koha të shfrytëzohet në vepra të mira, si: në namaz, lexim të Kuranit, të përkujdesurit për faljen e namazit me xhemat, nisja herët për në xhami, bamirësia ndaj njerëzve, dhënia e shpeshtë e sadakasë dhe qëndrimi në itikaf në dhjetëshin e fundit.

    Ibën El-Kajim, Allahu e mëshiroftë, tha: “Nga udhëzimi i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Ramazan ishte llojllojshmëria në ibadet dhe shtimi i tyre; Xhibrili ia lexonte Kuranin në Ramazan dhe takimi me Xhibrilin e bënte Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të jetë më bujar në mirësi se era e lehtë e freskët, ai ishte më bujari ndër njerëzit dhe kulmin e bujarisë e arrinte në Ramazan. Ai e shtonte sadakanë, bamirësinë, leximin e Kuranit, namazin, dhikrin dhe itikafin.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, muajin e Ramazanit e veçonte me ibadet më së tepërmi karshi çdo muaji tjetër.”[35]

    1. Kujdes dy herë që Ramazani mos të të kalojë në gjumë, thashetheme, rënie në mëkate dhe gjynahe.

    Ramazani është mundësi e madhe, andaj shfrytëzoje, bëhu i sinqertë në përpjekjet e tua në ibadet, me shpresë që ndoshta do të jesh nga fitimtarët në Ramazan.

    O ti, mungesa jote që ishte e gjatë, këto janë ditët e pajtimit.

    O ti, i cili ke humbur shumë, erdhën ditët e tregtisë dhe fitimit.

    Kush nuk fitoi në këtë muaj, atëherë në çfarë kohe do të fitojë?!

     

    E lusim Allahun ta pranojë nga ne agjërimin, namazin e teravive, leximin e Kuranit, dhe të na ndihmojë në adhurimin e Tij dhe të na bëjë nga fitimtarët. Amin.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Libri “Sezonet e adhurimit” ( i përkthyer në gjuhën shqipe)

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1] Buhariu (1899), Muslimi (1079).

    [2] Muslimi (233).

    [3]Buhariu (2014), Muslimi (760).

    [4] Buhariu (37), Muslimi (760).

    [5]Tirmidhiu (682), Ibën Maxhe (1642), shejh Albani e vlerësoi si të mire.

    [6] Tirmidhiu (3534), shejh Albani e saktësoi.

    [7] Buhariu (1904), Muslimi (1151).

    [8] Nesaiu (2220), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [9] Shih: Tefsir El-Bagavij (1/89), Ibën Kethir (1/251).

    [10] Imam Ahmedi (23070), hadithi është edhe në Sahih Et-Tergib (1032).

    [11] Tefsir El-Kurtubij (1/372).

    [12] Letaif El-Mearif (fq. 171).

    [13]Imam Ahmedi (6626), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (3882).

    [14]Buhariu (1896), Muslimi (1152).

    [15]Buhariu (1903).

    [16]Ez-Zuhd El-Kebir, Imam Bejhakiu (964).

    [17] Mburojë për qëllim është që agjërimi e mbulojë dhe pengesë nga mëkatet dhe paramburojë nga hyrja në Xhehenem. (sh.a.)

    [18]Buhariu (1894), Muslim (1151).

    [19]Fajdul Kadir, El-Munavij (242/4).

    [20]Zadul Mead, Ibën El-Kajim (2/29).

    [21]Musanaf, Ibën Ebi Shejbe (8973).

    [22]Buhariu (6), Muslimi (2308).

    [23]Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 171).

    [24]Shih: Tefsir Seid ibën Mensur (150,151), Letaif El-Mearif (fq. 171).

    [25]Ebu Davudi (1390), Imam Ahmed (6499), shejh Albani e saktësoi në Es-Sahiha (5/601).

    [26]Letaif El-Mearif (fq. 171).

    [27]Tirmidhiu (3598), Ibën Maxhe (1752), Imam Ahmedi (9743), dhe hadithin e saktësuan kontrolluesit e haditheve të El-Musned të imam Ahmedit, sipas rrugëve të haditheve tjera që dëshmojnë në ngritjen e saktësisë së hadithit.

    [28]Imam Ahmedi (7450), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (2169).

    [29]Buhariu (6), Muslimi (2308).

    [30]Fadail Ramadan, Ibën Ebi Ed-Dunja (25).

    [31]Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 171).

    [32]Tirmidhiu (807), Ibën Maxhe (1746), shejh Albani e saktësoi.

    [33] Për qëllim është në shpërblim me haxhin. (sh.p.)

    [34]Buhariu (1863), Muslimi (1256).

    [35]Zadul Mead, Ibën El-Kajim, (2/30).

  • AGJËRIMI NË RAMAZAN- REGULLA DHE DISPOZITA

    AGJËRIMI NË RAMAZAN- REGULLA DHE DISPOZITA

    1. Myslimani e ka për detyrë që t’i mësojë dispozitat e agjërimit dhe t’i pyetë dijetarët nëse për to nuk ka njohuri. Ai duhet t’i mësojë shtyllat e agjërimit, gjërat që e prishin atë, rregullat e agjërimit për të sëmurin, udhëtarin dhe të ngjashmit me ta, që u lejohet prishja e agjërimit. Është obligim individual për atë, i cili detyrohet të agjërojë që të mësojë dhe të dijë rreth atyre gjërave që agjërimi nuk mund të jetë i saktë, përveçse me to. Është një rregull në sheriat ku thotë: “Një gjë pa të cilën nuk plotësohet vaxhibi (obligimi), përveçse me të, ajo (gjë) është vaxhib (obligim).”
    2. Agjërimi është të adhuruarit e Allahut duke abstenuar nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime, nga lindja e sabahut (koha e imsakut) e deri në perëndimin e diellit.
    3. Hyrja e muajit Ramazan vërtetohet me shikimin e hënës ose me plotësimin e ditëve të muajit Shaban. Tridhjetë ditë, nëse ndodh pengesë në shikimin e hënës dhe nuk arrihet të shikohet më herët. Nuk lejohet të përcaktohet fillimi i muajit duke u mbështetur vetëm në llogaritjet astronomike.
    4. Agjërimi i Ramazanit është shtyllë nga shtyllat e Islamit dhe çdo mysliman dhe myslimane e ka për detyrë ta agjërojë.

    Kushtet që e detyrojnë agjërimin e Ramazanit janë katër: Islami, hyrja në moshën e pjekurisë (pubertetit), mendja dhe aftësia (mundësia) për agjërim.

    1. Kushtet e saktësisë së agjërimit janë: Islami, ndërprerja e gjakut të menstruacioneve dhe lehonisë te gruaja, mosha e dallimit[1], mendja dhe bërja e nijetit natën.
    2. Shtyllat e agjërimit janë: Nijeti, abstenimi nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime nga lindja e agimit (koha e imsakut) e deri në perëndim të diellit.
    3. Nijeti[2] është kusht për saktësinë e agjërimit farz (të detyruar), dhe çdo agjërimi të obliguar, si: kompensimi i ditëve të humbura ose agjërimi për të shpaguar dhe nijeti (është vepër e zemrës) nuk shprehet me gojë, por bëhet me zemër.

    Nijeti mund të bëhet në çdo pjesë të natës, qoftë edhe pak para se të hyjë koha e agimit apo imsakut.

    Mjafton të bëhet nijeti në fillim të Ramazanit për tërë muajin[3], mirëpo nëse nijetin e bën për çdo natë, kjo është më e sigurt dhe më e vlefshme.

    1. Pëlqehet ngritja në syfyr, qoftë edhe me pak ushqim ose një gllënjkë ujë, dhe pëlqehet shtyrja e syfyrit (deri para se të hyjë koha e imsakut). Syfyri është sunet profetik i vërtetuar dhe i fortë dhe në hadith ka ardhur: “Hani syfyrin, sepse në syfyr ka bereqet.[4]

    Pra, me ngritjen në syfyr e ndjekim rrugën profetike dhe dallohemi me ithtarët e librit (sepse dallimi në mes agjërimit tonë dhe të tyre është të ushqyerit në syfyr). Me të ushqyerit në syfyr, agjëruesi forcohet për ibadetin e ditës si dhe syfyri është koha e lutjeve që shpresohet Allahu t’i pranojë, po ashtu në këtë kohë agjëruesi e ripërtërin nijetin për agjërim.

    1. Pëlqehet shpejtimi i iftarit. Në një hadith ka ardhur: “Njerëzit vazhdojnë të jenë në hair dhe mirësi përderisa ta shpejtojnë iftarin.”[5]

    Nga suneti është që iftari të çelet me hurma të freskëta para se të falet namazi, poqë nuk ka të freskëta atëherë me hurma të thata, dhe poqë nuk ka hurma, atëherë me ujë.

    1. Esenca e gjërave që e prishin agjërimin janë: ushqimi, pija dhe marrëdhëniet.

    Këtyre u bashkëngjitet: vjellja me qëllim (futja e gishtit me qëllim apo nxitja e të vjellit me qëllim, -sh.p-), menstruacionet ose lehonia te gratë, bërja e hixhames dhe masturbimi gjatë ditës.

    1. Agjëruesit nuk i prishet agjërimi i tij, përderisa nuk plotësohen tri kushte: të jetë i ditur për dispozitën dhe të mos jetë i paditur, ta bëjë me vetëdije dhe jo me harresë, ta bëjë me dëshirë dhe të mos i imponohet.

    Prandaj, ai që ha ushqim ose pi ujë shkaku se nuk e di kohën ose dispozitën, agjërimi i tij është në rregull.

    Kush ha dhe pi me harresë, le ta vazhdojë agjërimin e tij, sepse Allahu e ushqeu dhe i dha të pijë ujë.

    Kush merr apo përdor diçka nga gjërat që e prishin agjërimin, pa dëshirën apo zgjedhjen e tij, agjërimi i tij është i saktë.

    1. Po ashtu gjërave që e prishin agjërimin iu bashkëngjitet edhe çdo gjë tjetër që është në kuptim të ushqimit dhe pijes:

    – Marrja e ilaçeve dhe tabletave.

    – Pirja e duhanit, e cila njëkohësisht është edhe e ndaluar.

    – Transfuzioni i gjakut në trupin e agjëruesit.

    – Marrja e ineksioneve ushqyese, të cilat përdoren si zëvendësim për ushqimin dhe pijen.[6]

    – Dializa.

    – Endoskopia e zorrës së trashë, nëse lyhet tuba me yndyrë ose solucion dhe arrin deri në organet e tretjes.

    1. Donacioni (dhurimi) i gjakut e prish agjërimin, ngase ndikon në trupin e njeriut sikurse ndikon hixhameja, prandaj nuk i lejohet agjëruesit që të dhurojë gjak, përveçse në raste specifike dhe të domosdoshme, ku i lejohet të dhurojë gjak dhe ta prishë agjërimin, pastaj këtë ditë e kompenson me ditë tjetër pas Ramazanit.
    2. Dhënia e gjakut për analiza nëse jepet në sasi të vogël nuk e prish agjërimin, sepse kjo sasi nuk e dobëson trupin e njeriut.
    3. Nga gjërat që nuk e prishin agjërimin janë:

    – Futja e ujit në gojë dhe hundë, pa e tepruar.

    – Pikat për syrin.

    – Pikat për veshin.

    – Larja e veshëve.

    -Pikat për hundë dhe inhalatori për hundë, duke qenë i kujdesshëm që të mos gëlltitet diçka nga to dhe të arrijë deri në fyt.

    – Inhalatori për astmë.

    – Ineksionet mjekuese që jepen nën muskuj, lëkurë dhe venë.[7]

    – Tabletat që vendoset nën gjuhë në rastin e sulmit në zemër dhe sëmundjeve të tjera të zemrës, duke qenë i kujdesshëm që të mos gëlltitet diçka nga to dhe të arrijë deri në fyt.

    – Nxjerrja e dhëmbit ose mjekimi i tij.

    – Pastrimi i dhëmbëve me misvak ose me brushë për dhëmbë, duke qenë i kujdesshëm që pasta e dhëmbëve të mos shkojë deri në fyt.

    – Pomada dhe leukoplasti (fashat ngjitëse) për mjekim.

    – Ujë që përdoret për shpëlarjen e gojës, nëse nuk e gëlltit.

    – Gastroskopia e lukthit, me kusht që tubës të mos i vendosen preparate ushqyese, si: yndyrë dhe lëngje.

    – Endoskopia gjinekologjike (futja e endoskopit në mitrën e gruas) dhe vendosja e spirales dhe të ngjashmet me të.

    – Supozitorët që futen në vagjinën e femrës dhe losionet vagjinale.

    1. Agjëruesit i lejohet përdorimi i parfumit dhe nuhatja e erërave të mira, nga ushqimi dhe parfumet, etj., mirëpo nuk lejohet thithja me hundë e erëzave dhe as e avullit që del nga ushqimi, sepse mund të përmbajnë materie që mund të depërtojnë deri në lukth.
    2. Agjëruesit i lejohet të lahet dhe nuk ka pengesë nëse noton ose zhytet në ujë.
    3. Agjëruesi nuk e prish agjërimin nëse e gëlltit pështymën e tij, edhe nëse ajo është shumë dhe vjen në vazhdimësi, kurse nëse është këlbaz i trashë atëherë nuk e gëlltit.
    4. Nuk ka pengesë për agjëruesin, burrë ose grua, ta shijojë ushqimin, nëse ka nevojë duke e provuar atë me maje të gjuhës, dhe pasi e provon e nxjerr nga goja dhe nuk gëlltit diçka nga ushqimi.
    5. Ai që detyrohet (fetarisht) të agjërojë, nëse gjatë ditës kryen marrëdhënie me gruan e tij, me qëllim dhe me vetëdëshirë, i prishet agjërimi.

    Ai duhet të pendohet për gabimin dhe ta plotësojë ditën me agjërim (edhe pse e ka prishur) si dhe pas Ramazanit ta kompensojë këtë ditë. Po ashtu duhet ta shpaguajë gabimin duke agjëruar dy muaj pandërprerë, ndërsa nëse e ka të pamundur të agjërojë atëherë duhet t’i ushqejë gjashtëdhjetë të ngratë.

    Nëse gruaja i bindet burrit me vetëdëshirë, edhe ajo atëherë duhet të veprojë sikurse burri i saj, ndërsa nëse ka qenë e imponuar dhe pa dëshirën e saj, agjërimi i saj është në rregull.

    1. Kush zgjohet në mëngjes xhunub, agjërimi i tij është në rregull.

    Kush bie të flejë dhe në gjumë bëhet xhunub, agjërimi i tij është në rregull.

    Dalja e lëngut medhij[8] nuk e prish agjërimin.

    1. Ai që është bërë xhunub, i lejohet ta vonojë gusllin (larjen e trupit) nga xhunubllëku deri pas lindjes së sabahut (deri pas imsakut), dhe më pas duhet të nxitojë të lahet sa më shpejt për ta falur namazin e sabahut.
    2. Për të mos agjëruar në udhëtim kusht është:

    – Që largësia e destinacionit për ku je nisur të llogaritet udhëtim, përafërsisht 80 km ose sipas traditës.

    – Ta kapërcesh vendbanimin tënd dhe pas teje t’i lësh shtëpitë e fundit.

    – Të mos jetë udhëtimi yt për të bërë mëkat (sipas shumicës së dijetarëve).

    – Të mos jetë synimi i udhëtimit tënd prishja e agjërimit (të mos jetë hile për ta prishur agjërimin).

    1. Çdo sëmundje që shkaku i saj njeriu del nga rrethi i shëndetit, ia bën të lejuar prishjen e agjërimit. Allahu thotë: “…nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas.” (El-Bekare: 184)

    Kurse sëmundjet e lehta, siç janë: kolli dhe kokëdhembja, për to nuk lejohet të prishet agjërimi.

    1. I sëmuri që frikohet se me agjërim do t’i shtohet edhe më tepër sëmundja, ose do t’i ngadalësohet shërimi, ose do t’i dëmtohet ndonjë organ, lejohet të mos agjërojë dhe për të nuk parapëlqehet të agjërojë.

    Ndërsa nëse është i sigurt se agjërimi e dëmton, obligohet ta prishë agjërimin dhe i ndalohet të agjërojë, kurse shpërblimi i tij, me lejen e Allahut, është i vërtetuar, duke u bazuar në fjalën e Allahut: “…dhe mos e vritni veten…” (En-Nisa: 29)

    Ndalesa këtu përfshin marrjen e shpirtit si dhe përfshin çdo gjë që në të ka dëm.

    1. Nëse shpresohet që sëmundja të kalojë dhe të largohet, i sëmuri duhet ta presë shërimin dhe më pas t’i kompensojë ditët e humbura dhe nuk lejohet që t’i shpaguajë këto ditë.

    Nëse mjekët konstatojnë se sëmundja do të kalojë dhe i sëmuri do të shërohet, me lejen e Allahut, i sëmuri nuk detyrohet t’i kompensojë ditët e humbura vetëm pasi të shërohet, edhe nëse sëmundja e tij zgjat me vite të tëra.

    1. Arsyet që vazhdimisht ndikojnë në agjërimin e njeriut janë disallojëshe, nga to janë: sëmundja kronike, ku nuk shpresohet shërimi i saj, sipas mendimit të mjekëve dhe përvojës së tyre, si dhe pleqëria e thellë.

    Këto arsye janë që e lejojnë mosagjërimin dhe ditët e humbura nuk kompensohen, por ato shpaguhen.

    1. Shpagimi ( El-Fidje – në gjuhën arabe) bëhet duke e ushqyer një të ngratë për çdo ditë që nuk e ka agjëruar. Shpagimi për çdo ditë të paagjëruar është gjysmë sa’a nga ushqimi i vendit ku jeton, ajo përafërsisht është një kilogram e gjysmë dhe obligohet të jepet ushqim (dhe jo të holla, – sh.p-) bazuar në ajetin: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” (El: Bekare: 184)
    2. Shpagimi mund të bëhet edhe bashkë duke u dhënë ushqim një numri më të madh të të ngratëve në fund të muajit, ose duke u përgatitur ushqim dhe i thërret në numër aq ditë sa i ke të paagjëruara si dhe, lejohet të ushqesh një të ngratë për çdo ditë. Njashtu lejohet që nëse ti nuk je prezent ose nuk ke kohë, ta lësh dikë të besueshëm si zëvendës ose ndonjë organizatë bamirëse të besueshme, që ata ta blejnë ushqimin dhe t’ua shpërndajnë në vend tëndin.
    3. Sipas mendimit më të saktë të dijetarëve nuk lejohet shpejtimi i shpagimit duke e dhënë atë përnjëherë për një muaj në fillim të Ramazanit ose duke e shpaguar ditën që nuk do ta agjërosh para kohe.
    4. Gruaja shtatzëne dhe gjidhënësja, nëse frikohen për veten e tyre ose për fëmijën, u lejohet të mos agjërojnë, dhe ditët e paagjëruara i kompensojnë pas Ramazanit dhe nuk duhet të shtojnë diçka tjetër jashtë agjërimit.
    5. I tërë umeti është unik se ai i cili e prish agjërimin me qëllim pa asnjë arsye, ka bërë mëkat nga mëkatet e mëdha.

    Për të nuk ka shpagim, mirëpo duhet të kompensojë këtë ditë dhe të shpeshtojë istigfarin, të pendohet tek Allahu nga ky mëkat i madh dhe të ndiejë keqardhje për veprën e bërë dhe të jetë i vendosur që në të ardhmen të mos e veprojë të njëjtën gjë më asnjëherë.

    1. Kushdo që nuk e ka agjëruar ndonjë ditë të Ramazanit shkaku i pakujdesisë, më pas Allahu e ka begatuar me udhëzim dhe me pendim dhe është përqendruar në fenë e Allahut, pendimi i tij ia fshin mëkatet e mëhershme, dhe ai detyrohet që t’i kompensojë muajt dhe ditët që në to nuk ka agjëruar, e nëse nuk e din se sa ato janë saktësisht, atëherë agjëron përafërsisht derisa të mendojë se i ka kompensuar ato.

    Në këtë rast, ajo më e mira është që për çdo ditë të paagjëruar ta ushqejë nga një të ngratë me gjysmë sa’a (sasi matëse) nga ushqimi i vendit ku jeton, kjo sipas mundësive, e nëse është i varfër dhe nuk i ka mundësitë të shpenzojë, atëherë e bën vetëm kompensimin.

    1. Kush e ka traditë të flejë gjatë ditës në Ramazan, tërë ditën apo të shumtën e saj, ky është i privuar dhe i dështuar, ndërsa agjërimin e i tij e ka të saktë.

    Kurse ai i cili për shkak të gjumit gjatë ditës nuk i fal namazet në kohën e vet të caktuar, ky është mëkatar dhe në rrezik të madh për fenë e tij.

     

    E lusim Allahun që të na e pranojë agjërimin, namazin e natës dhe leximin e Kuranit, të na ndihmojë në adhurimin e Tij dhe të na bëjë nga fitimtarët në Ramazan. Amin.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Libri “Sezonet e adhurimit” ( i përkthyer në gjuhën shqipe)

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

    [1] Agjërimi nuk pranohet nga fëmija që nuk e ka arrit moshën e dallimit shkaku se nuk ka dije dhe nuk di të dallojë synimin e ibadeteve dhe kuptimin e tyre. (sh.p.)

    [2] Me nijet nënkuptojmë vendosmërinë e zemrës për të bërë një vepër. (sh.a.)

    [3] Pra, nga nata e parë e bën nijetin që ta agjërojë tërë  muajin dhe nuk ka nevojë që ta përsërisë nijetin në çdo natë. Por nëse ndodh që brenda ditëve të Ramazanit ta ndërpretë agjërimin shkaku i udhëtimit, sëmundjes, menstruacioneve apo lehonisë tek gratë, atëherë duhet ripërtëritja e nijetit për ditët e tjera që kanë mbetur. (sh.p.)

    [4] Buhariu (1923), Muslimi (1095).

    [5] Buhariu (1957), Muslimi (1098).

    [6] Pa marrë parasysh se ku merren injeksionet ushqyese ose me vitamina, në muskuj apo venë, e prishin agjërimin. (sh.p.)

    [7] Përveç atyre që janë ushqyese, si infuzionet ose marrja e glukozës në venë ose vitaminave. (sh.p.)

    [8] Medhij nuk është spermë, por është lëng i cili del nga organi gjenital, në rast të epshit dhe del pa shpejtësi apo ndonjë kënaqësi. Zakonisht vjen nga mendimet ose nga fërkimet mes burrit dhe gruas ose nga shikimi që e nxit epshin. Ky lëng del edhe te meshkujt edhe te femrat. Është lëng i hollë dhe i bardhë dhe ndodh që të mos hetohet dalja e tij. Ky lëng nuk e prish agjërimin, mirëpo e prish abdesin. (sh.p.)