Category: Dija & Daveti

  • LUFTA E BEDRIT

    LUFTA E BEDRIT

    Në këtë muaj të begatshëm muslimanët me ndihmën e Allahut e fituan luftën e Bedrit kundër armiqve të tyre. Kjo ditë u quajt dita e Furkanit (Dallimit), për shkak se në këtë ditë me fitoren e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, dhe të muslimanëve ndaj jobesimtarëve u dallua e vërteta prej të pavërtetës. Kjo betejë ndodhi në muajin Ramazan në vitin e dytë sipas hixhretit. Shkaku i luftës ishte se Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, i kishte arritur lajmi se Ebu Sufjani ishte drejtuar prej Shamit në drejtim të Mekës me një karvan të kurejshëve. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, i thirri sahabët që të dalin dhe ta marrin karvanin, për shkak se kurejshët ishin armik të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, dhe të sahabëve, nuk kishin marrëveshje mes tyre dhe ata ishin të cilët i larguan prej shtëpive, ua morën pasurinë dhe me këtë e merituan atë që e dëshironte Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, dhe shokët e tij. Numri i muslimanëve ishte i përbërë prej treqind e dhjetë deri treqind e nëntëmbëdhjetë ushtarë, dy kuaj dhe shtatëdhjetë deve. Qëllimi primar i tyre ishte marrja e karvanit e jo lufta, mirëpo caktimi i Allahut ishte që të dyja palët të takohen pa dëshirën e tyre dhe të luftojnë mes veti. Ebu Sufjani kur e kuptoi se muslimanët ishin në pritje të tyre e dërgoi një lajmëtar te kurejshët që t’i lajmërojë që të dalin ta mbrojnë pasurinë, kurse vetë me karvanin e ndërroi rrugën, me qëllim që t’i ikë muslimanëve. Kur u arriti lajmi kurejshëve menjëherë u bënë gati për luftë. E formuan një ushtri që përbëhej prej njëmijë e treqind luftëtarësh. Kishin njëqind kuaj, gjashtëqind ushtarë të veshur me parzmore, ndërsa deve kishin aq shumë, saqë nuk u dihej saktësisht numri. Kryekomandant i tyre ishte Ebu Xhehli, armiku më i madh i muslimanëve dhe faraoni i këtij Umeti.

    Kurejshët u nisën pikërisht ashtu siç flet Kur’ani: “Të cilët dolën nga shtëpitë e tyre duke shfaqur arrogancën e për t’u reklamuar njerëzve (trimërinë dhe gajretin e tyre), dhe për t’i penguar njerëzit nga rruga e Allahut.” (El-Enfal: 74)

    Kurejshët u nisën me shpejtësi të madhe nga veriu në drejtim të Bedrit. Rrugës morën një lajm të ri nga Ebu Sufjani, nëpërmjet së cilës u thoshte: “Ju u nisët për të shpëtuar karvanin, njerëzit dhe pasurinë, por këtë e bëri Zoti. Kthehuni në Mekë.” Ebu Xhehli, i tronditur u bërtiti: “Kurrsesi nuk do të kthehemi gjersa të arrijmë në Bedër. Atje do të pushojmë tri ditë, do të therim disa deve, do të ngopemi mirë e do të pimë verë e pastaj do të festojmë. Duhet të dëgjojnë arabët për ekspeditën dhe fuqinë tonë, e kurrë më të mos mendojnë se mund të na sulmojnë.”

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, dhe muslimanët e kuptuan se ushtria mekase ishte nisur për t’i ndihmuar karvanit dhe konstatuan se nuk kishin zgjidhje tjetër dhe se nuk mund t’i iknin përleshjes, ngase kjo do të thoshte paburrëri. Pas këshillave që i bëri Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, me sahabët u tha se Allahu ma premtoi fitoren mbi njërën prej dy grupeve, ose karvanin ose luftën. Atëherë u ngrit Mikdad ibën Amri, radijallahu anhu, e tha: “O Pejgamber i Allahut, shko rrugës të cilën ta ka treguar Allahu. Ne jemi me ty. Pasha Allahun, çfarëdo që të ndodhë ty nuk do të themi ashtu siç i kanë thënë Beni Israilët Musait, alejhi selam: “Shko ti dhe Zoti yt e luftoni, e ne do të rrimë këtu.” (El-Maide: 24) – “Jo, kurrsesi, ne ty të themi – Shko ti me Zotin tënd e luftoni, e ne do të luftojmë së bashku me ju. Pasha Krijuesin, i Cili të bëri Pejgamber, po qe se nisesh edhe në pjesën më të skajshme të Jemenit ne do të luftonim së bashku me ty përderisa ta pushtoje.”

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, iu falënderua dhe iu lut Allahut për të.

    Prijësi i ensarëve Sad ibën Muadhi, radijallahu anhu, tha: “Ndoshta ti mendon se ensarët i japin vetes të drejtë të ndihmojnë vetëm në shtëpitë e veta e të mos largohen prej tyre, kurse unë të them në emër të tyre dhe ta jap përgjigjen e tyre, nisu nga të duash, e na jep çka të duash. Atë që do ta marrësh do të na jetë më i ëndshëm se atë që nuk do ta lije. Çdo urdhër i yti, për ne është urdhër të cilin e pranojmë dhe e zbatojmë me gjithë zemër. Pasha Allahun, po qe se do të na dilte përpara edhe deti, e ti të hysh në të, edhe ne do të vinim pas teje.”

    Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, e gëzuan shumë fjalët e Sadit. Kjo i dha vullnet për aksion. Ai tha: “Nisuni dhe po ju jap lajmin e mirë se Allahu më ka premtuar njërin prej dy grupeve. Pasha Allahun, më bëhet se jam duke e parë vendin e shkatërrimit të tyre.”

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, vendosi të nisej me ushtrinë e vet në Bedër, para kurejshëve, për të zënë një vendburim shumë të rëndësishëm të ujit.

    Në muzg arritën poshtë burimeve të Bedrit dhe Habab ibën Mundhiri, radijallahu anhu, njëri nga vëzhguesit, u ngrit e tha: “A mendon, o Pejgamber i Allahut, të qëndrojmë këtu? A të ka urdhëruar Allahu që të jemi në këtë vend dhe se nuk guxojmë të shkojmë as përpara as prapa, apo kjo është çështje e mendimit të lirë, lufte dhe taktike?” Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Ky është vend për konsultim, luftë dhe taktikë.” Hababi vazhdoi: “O Pejgamber i Allahut, ky vend nuk është i mirë për të qëndruar. Nisu me njerëzit derisa të arrish gjer te pusi më i afërt i kurejshëve. Pusin rrënoje dhe mbuloje me dhe e gurë. Kështu vepro edhe me puset e tjera. Pastaj për vete do të hapim një kanal të cilin do ta mbushim me ujë. Vetëm atëherë do të nisemi në sulm. Ne do të kemi ujë për të pirë, e ata jo.” Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Plani yt është i mirë.”

    Allahu, azze ue xhel, atë natë dërgoi shiun që mushrikëve u nxori probleme dhe telashe, sepse ua vështirësoi rrugën dhe lëvizjen, kurse për muslimanët kjo ishte mëshirë e Allahut, sepse shiu i lau, ua pastroi trupin dhe rrobat, i freskoi ata dhe e zbuti tokën, rërën e vrazhdë dhe nguliti dashuri në zemrat e tyre. Shiu, pra, për muslimanët ishte mëshira e Allahut.

    Muslimanët ndërtuan vendstrehimin në një lartësirë në anën veriperëndimore nga fushëbeteja, nga mund të kontrollohej e tërë beteja dhe zgjodhën një grup të rinjsh në krye me Sad ibën Muadhin për të mbrojtur komandantin e tyre, Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, u caktoi ushtarëve vendet dhe shkoi në vijën e parë. E ngriti dorën e tha: “Këtu nesër do të vritet, insha’Allah filani e filani, e këtu nesër do të vritet inshaAllah, filani e filani.” Pastaj Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, pjesën tjetër të natës e kaloi në namaz nën kurorën e një druri pranë vendkomandës, kurse muslimanët e tjerë e kaluan të qetësuar nën kupën e shkëlqyer të qiellit, me vetëbesim të plotë. Pushonin duke dëshiruar që Allahu t’u dërgonte ndonjë shenjë të mirë, të cilën nesër do ta shihnin me sytë e vet. Allahu, azze ue xhel, shpalli: (Kjo mrekulli u paraqit atëherë) Kur Zoti bëri që ju të koteni në gjumë të lehtë për qetësimin tuaj nga ana e Tij, e lëshoi shiun prej reve për t’ju pastruar me të dhe për t’ju larguar shqetësimin e djallit (frikën e tij), për t’i bashkuar zemrat tuaja me besim dhe t’ua forcojë këmbët tuaja.” (El-Enfal: 11)

    Kjo natë para betejës ishte në prag të Xhumasë, më shtatëmbëdhjetë Ramazan të vitit dy hixhrij.

    Kur mushrikët dolën në fushëbetejë, përballë tyre dolën edhe muslimanët. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, iu drejtua Allahut me këto fjalë: “O Allahu im, këta janë kurejshët, arritën me kalorësinë dhe me famën e tyre. Ty të kërcënohen dhe flasin gënjeshtra për Pejgamberin Tënd. O Allahu im, ma ofro ndihmën Tënde, të cilën ma ke premtuar! Mposhti ata sot.” dhe “O Zoti im, plotësoje premtimin Tënd që ma ke dhënë. Të lutem, o Zoti im, Ti na ndihmo, ne fuqimisht besojmë në fjalën Tënde!”

    Allahu, azze ue xhel, ia pranoi lutjet dhe shpalli: (Kujto o Muhamed) kur Zoti yt i frymëzoi engjëjt: “Unë jam me ju, andaj forcojini ata që besojnë. Unë do të shtie frikë në zemrat e mohuesve, andaj goditini në qafë dhe në të gjithë gishtërinjtë”. Ne i dënuam kështu, sepse ata dolën kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kushdo që del kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ta dijë se Allahu është ndëshkues i ashpër. (Ne u thamë atyre) “Ky është ndëshkimi, provojeni atë. Dënimi i zjarrit i pret mohuesit”. (El-Enfal: 12-14)

    Në radhët e mushrikëve filloi çrregullimi. Shenjat e disfatës ishin gjithnjë e më të dukshme. Mushrikëve filluan t’u merreshin këmbët para sulmeve gjithnjë e më të fuqishme të muslimanëve. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem i dha urdhrin e fundit ushtrisë së vet për kundërsulm. Ai tha: “Ngjishni radhët dhe godisni me tërë fuqinë.” Pastaj shtoi: “Pasha Krijuesin, çdo njeri që merr pjesë sot në këtë betejë dhe lufton me durim të madh e nuk ikën nga lufta që të mos vritet, me siguri do të hyjë në Xhenet.” Gjithashtu u jepte zemër duke thënë: “Nisuni, nisuni, shkoni në Xhenet hapësirat e të cilit janë sa gjithë qiejt dhe Toka bashkë.”

    Atëherë Umejr ibën Amri tha: “Oh, oh!” Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, e pyeti: “E çka mendon ti me atë oh, oh?” – “Pasha Allahun, o Pejgamber, asgjë tjetër veçse sikur të isha njëri prej banorëve të tij.” – Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, i tha: “Ti me të vërtet do të bëhesh banor i Xhenetit.” -Pastaj Umejri nxori hurmat nga xhepi e tha: “Nëse jam gjallë derisa t’i ha këto hurma, atëherë me të vërtetë qenka kohë e gjatë.” Pastaj i hodhi ato dhe vazhdoi luftën, ku së shpejti vritet.

    Pastaj mori një grusht pluhur dhe ua hodhi kurejshëve, e tha: “Ju shëmtofshin fytyrat”, dhe ua hodhi pluhurin në fytyrë. Asnjë mushrik nuk ka shpëtuar pa e goditur rëra në sy, apo në hundë. Në lidhje me këtë Allahu, azze ue xhel, shpalli: “Dhe ti nuk ke gjuajtur kur gjuajte, por Allahu ka gjuajtur.” (El-Enfal: 17)

    Fundi i betejës po afrohej. Mushrikët filluan të iknin masivisht nga fushëbeteja. Muslimanët i arrinin, i mbytnin dhe i zinin rob dhe beteja përfundoi me humbje të madhe të mushrikëve. Muslimanët i dhanë katërmbëdhjetë shehidë Bedrit, gjashtë muhaxhirë dhe tetë ensarë. Mushrikët patën humbje të hatashme: shtatëdhjetë të vrarë dhe shtatëdhjetë të robëruar, kryesisht udhëheqës ushtarakë, prijës të fiseve e familjeve dhe pari.

    Kur mbaroi lufta, Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, erdhi dhe mbi mushrikët e vdekur mbajti një fjalim: “Sa farefis i keq ishit ndaj Pejgamberit tuaj. Të gjithë më quajtët gënjeshtar, derisa të tjerët më besuan. Ju më pengonit, e të tjerët më ndihmonin. Ju më dëbuat, e të tjerët shtëpi më dhanë.” Pastaj urdhëroi të hidheshin në një bunar të vjetër në Bedër.

    Ebu Talha, radijallahu anhu, transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka urdhëruar në Bedër që njëzet e katër njerëz, nga paria e mushrikëve, të hidheshin në një bunar të murosur të Bedrit si njerëz të pavlerë. Pas fitores, Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, zakonisht qëndronte tri ditë në atë vend. Tri ditë pas betejës urdhëroi që t’i përgatisnin devenë për rrugë. U nis për në Medinë së bashku me shokët e vet. Kur mbërrijnë buzë bunarit, filloi të thërriste kurejshët e vdekur në emër: “O filan filani, o filan filani! A nuk do ta kishit më që t’i nënshtroheshit Allahut dhe Pejgamberit të Tij? Ne me të vërtetë fituam atë që na ka premtuar Allahu. Po ju, a e fituat atë që ju ka premtuar Ai?”

    Omeri, radijallahu anhu, tha: “O Pejgamber i Allahut, si mund t’u flasësh të vdekurve, të cilët nuk kanë shpirt?” – Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Pasha Allahun, ju nuk dëgjoni aspak më mirë se ata.”

    O agjërues!

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, kur arriti në Medine thirri shokët e vet për t’u konsultuar me ta rreth robërve të luftës. Atëherë Ebu Bekri tha: “O Pejgamber i Allahut, ata janë të gjithë djem të xhaxhallarëve, anëtarë të familjeve kurejshite dhe bijtë e tyre. Mendoj se prej tyre ne duhet marrë shpagim, e kjo për ne do të kishte leverdi. Ndoshta Allahu do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë, e të bëhen ndihmësit tanë.”

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, e pyeti Omerin: “Çka mendon ti, o i biri i Hatabit?” Ai u përgjigj: “Unë nuk pajtohem me Ebu Bekrin. Do të dëshiroja të më japësh një kushëri e t’ia pres kokën. Nëse Aliu nuk ia kishte bërë këtë Akil ibën Ebi Talibit, e Hamza nipit të vet, si do të dinte Allahu se nuk kemi mëshirë ndaj jobesimtarëve!? Këta njerëz janë udhëheqës, prijës dhe bajraktarë të mosbesimit.”

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, pranoi propozimin e Ebu Bekrit, kurse e refuzoi atë të Omerit.

    Për disa shpagimi ishte me të holla prej njëmijë dërhemë e deri në katërmijë dërhemë, për disa shpagimi ishte që t’ua mësojnë fëmijëve të muslimanëve shkrimin dhe leximin, disa liroheshin pa asnjë kusht në rast se kishte prej tyre dobi, e kështu me radhë.

    Kjo pra ishte lufta e Bedrit ku fitoi grupi i vogël atë të madhin, për shkak se ishte e ngritur mbi fenë e Allahut, azze ue xhel, dhe e cila luftonte për ta ngritur fjalën e Allahut dhe ta mbron fenë e tij: Sigurisht që kishte shenjë për ju në dy ushtritë që u ndeshën: njëra që luftonte në rrugën e Allahut dhe tjetra – e mohuesve, së cilës i dukej se para vetes kishte dy herë më shumë kundërshtarë. Allahu me ndihmën e Vet forcon kë të dëshirojë. Kjo, me të vërtetë, është mësim për largpamësit”. (Ali Imran: 13)

    O muslimanë!

    Kapuni për fenë e juaj që ta fitoni armikun e juaj, bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë. Bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni.

    Shejh Muhamed El Uthejmin

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • DOBITË DHE ETIKA E AGËRIMIT

    DOBITË DHE ETIKA E AGËRIMIT

    Frikojuni Allahut dhe falënderoni Atë që na mundësoi ta presim muajin e Ramazanit shëndoshë e mirë. Dijeni se agjërimi është një ndër adhurimet më të dobishme dhe gjurmët e tij në pastrimin e shpirtit dhe në përmirësimin e moralit janë shumë të mëdha.

    Prej dobive të agjërimit është se ai në shpirtin e muslimanit mbjell frikërespekt dhe devotshmëri ndaj Allahut, azze ue xhel: O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (El-Bekare: 183)

    Prej dobive të agjërimit është se ia mëson njeriut përballjen dhe durueshmërinë, dhe kjo vjen si rezultat i durimit të tij prej largimit nga epshet dhe pasionet.

    Prej dobive të agjërimit është se ia mundëson njeriut të del fitimtar kundrejt epshit të tij. Shpirti i njeriut fort anon kah epshet dhe pasionet dhe kur shpirtit i plotësohet dëshira që gjithmonë ta merr atë çka e dëshiron, atëherë njeriu është në rrezik të madh prej devijimeve që përfundimi i tyre padyshim se është i keq. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Shpirti (i njeriut) është fort i prirë për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im. (Jusuf: 53)

    Prej dobive të agjërimit është se e dobëson lëvizjen e shejtanit në trupin e njeriut, për shkak se ai lëviz në trupin e birit të Ademit ashtu siç lëviz gjaku i tij në trup. Kur njeriu ia mundëson vetes të gjitha gjërat që i dëshiron epshi i tij, ia hap derën shejtanit të depërtojë më lehtë dhe ta mbisundojë mendjen dhe shpirtin e njeriut.

    Prej dobive të agjërimit është se ai ia rikujton njeriut begatitë e Allahut ndaj tij. Kur e kaplon etja dhe uria i rikujtohet se Allahu ia lehtëson atij furnizimin e ushqimeve dhe pijeve dhe e sheh se sa ka nevojë krijesa për Krijuesin dhe me këtë e rrit falënderimin ndaj Tij.

    Prej dobive të agjërimit është se ai e nxit njeriun në bamirësi ndaj fukarenjve dhe nevojtarëve. Agjëruesin kur e kaplon uria dhe etja i rikujtohet gjendja e fukarenjve dhe kjo e nxit në bamirësi dhe lëmoshë ndaj tyre.

    Prej dobive të agjërimit është se e mposht kryelartësinë dhe mendjemadhësinë ndaj njerëzve. Kur agjëron i pasuri dhe fukaraja, mbreti dhe dijetari, fisniku dhe tradhtari, atëherë robit i rikujtohet se nuk e dallon njërin prej tjetrit, përveç se devotshmëria dhe se njerëzit të gjithë janë robër të Allahut dhe për të gjithë vlejnë të njëjtat dispozita.

    Prej dobive të agjërimit është se i bashkon muslimanët dhe i afron njërin me tjetrin. Ata agjërojnë në të njëjtën kohë, e hanë iftarin në të njëjtën kohë dhe kjo ndikon në afrimin e tyre dhe largimin e përçarjeve dhe mosmarrëveshjeve.

    Prej dobive të agjërimit po ashtu është se e lehtëson veprimin e adhurimeve. Kush e vëren gjendjen e agjëruesve në Ramazan, adhurimet e tyre dhe mirësitë që i veprojnë ata, do të bindet se agjërimi është një prej shkaqeve kryesore të udhëzimit dhe e kupton thënien e Allahut, azze ue xhel: Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju” (El-Bekare: 184) dhe thënien e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem: “Agjërimi është mburojë.”

    Dhe në fund prej dobive të agjërimit është se e mbron trupin prej sëmundjeve dhe zemrën prej moraleve të shëmtuara.

    O ju agjërues!

    Dijeni se agjërimi ka disa etika që duhet të respektohen.

    Agjërues është ai person të cilit gjymtyrët e tij agjërojnë prej mëkateve dhe gjuha e tij prej gënjeshtre, përgojimi dhe shpifjes. Barku i tij prej ushqimi dhe pijeve dhe organi i tij prej epsheve. Flet fjalë që nuk e dëmtojnë agjërimin e tij, vepron vepra që nuk janë në kundërshtim me fenë e tij. Fjalët dhe veprat e tij i përngjajnë erës së cilën e nuhat ai që ulet afër personit i cili është i parfumuar me misk. Çdo njëri dëshiron t’i afrohet për shkak se ndeja me të është kënaqësi e madhe, dhe se aty nuk përgojohet, nuk barten fjalë dhe nuk dëmtohet askush. Ky është agjërimi i kërkuar prej muslimanit, e jo vetëm se largimi prej ushqimit dhe pijeve.

    Prej etikës së agjërimit është që agjëruesi mos ta teprojë me ushqim gjatë natës, por të hajë aq sa ka nevojë trupi i tij. Çdo ngrënie e tepërt trashëgon dembeli dhe përtaci dhe e largon agjëruesin prej qëllimit të vërtet të Ramazanit.

    Prej etikës së agjërimit është vonimi i syfyrit me qëllim që të fillon me agjërim me hyrjen e imsakut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja” (El-Bekare: 187)

    Prej etikës së agjërimit është përshpejtimi i iftarit nëse vërtetohet se dielli ka perënduar qoftë me shikim ose me dëgjimin e ezanit të akshamit.

    Disa njerëz bien në disa gabime gjatë muajit të Ramazanit edhe atë duke mos fjetur një pjesë të madhe të natës, e pastaj e hanë syfyrin dhe bien në gjumë një orë ose më shumë para namazit të sabahut. Ky lloj njerëzish bien në disa gabime, prej tyre:

    1- Ata e fillojnë agjërimin para kohës kur detyrohet agjërimi (d.m.th. para se të hyjë koha e imsakut).

    2- Ndoshta nuk e falin namazin e sabahut me xhemat dhe kështu i bëjnë mëkat Allahut duke e neglizhuar atë që ua ka obliguar.

    3- Ndoshta nuk e falin namazin e sabahut në kohën e duhur, dhe e falin pasi që të lind dielli. Kjo është një rrezik i madh për to për shkak se Allahu, azze ue xhel, thotë: Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet”. (El-Maun: 4-5); “Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta”. (Merjem: 59)

    Moskujdesi dhe braktisja që përmenden në dy ajetet e lartpërmendura aludojnë në atë që nuk e fal namazin në kohën e tij të duhur.

    O robër të Allahut!

    Frikojuni Allahut dhe mos e ndërtoni fenë e juaj në një anë duke e shkatërruar anën tjetër. Islami është i ndërtuar prej pesë shtyllave: Dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të vërtet vetëm se Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në Haxh, prandaj praktikoni fenë e juaj dhe mos u përçani në të.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është I sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini”. (El-Bekare: 183-184)

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • PENDIMI DHE MËSHIRA E GJERË E ALLAHUT

    PENDIMI DHE MËSHIRA E GJERË E ALLAHUT

    Të birin e Ademit e rrethojnë armiq të shumtë prej shejtanëve njerëz dhe xhind të cilët ia hijeshojnë të keqen dhe ia shëmtojnë të mirën. Këtyre i bashkëngjiten edhe shpirti i cili është fort i prirë për të keqe dhe epshi, dy armiq të rrezikshëm për njeriun, të cilët e thërrasin në pasimin e epsheve dhe e drejtojnë drejt veprave të liga. Këta armiq së bashku të birin e Ademit e fusin në mëkate, të vogla e të mëdha, ia hijeshojnë dynjanë dhe thirrësit në të derisa i biri i Ademit fillon të fundoset në to e t’i ngushtohet gjoksi prej mëkateve dhe t’i duket se i mbyllet para tij dera e shpresës e të hyjë në rrethin e dëshpërimit prej mëshirës së Allahut.

    Mirëpo, Allahu është i Gjithëdijshmi dhe i Urti, i Dhembshuri dhe Mëshirëploti i Cili e di çdo gjë që ka krijuar dhe Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuar. Për robërit e Tij e hapi derën e pendimit, i drejtoi drejt istigfarit, veprat e mira të tyre i bëri të jenë shkak i faljes së mëkateve dhe belatë të jenë shkak i larjes së gjynaheve. Madje i Lartësuari prej meritës dhe bujarisë së Tij bëri që t’u zëvendësohen mëkatet me sevape: “Allahu dëshiron që t’jua pranojë pendimet tuaja, por ata që jepen pas epsheve, dëshirojnë që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë (barrët), pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme”. (En-Nisa: 27-28)

    Allahu pendimin e bëri strehë dhe mburojë ku i penduari strehohet në të duke e pranuar fajin e gabimin, duke kërkuar falje për veprat e tij me bindje se më nuk do t’i kthehet asnjëherë dhe duke shpresuar në Allahun për mëshirë. Pendimi i sinqertë dhe i vërtetë i shlyen mëkatet sado që të jenë ato të mëdha duke e përfshirë këtu edhe shirkun dhe kufrin: “Thuaju atyre që nuk besojnë: nëse largohen (nga mosbesimi), do t’u falet e kaluara”. (El-Enfal: 38) Vrasësve të pejgamberëve të Allahut të cilët thanë se Allahu është tre dhe të cilët thanë se Isa i biri i Merjemes është i biri i Zotit, Allahu na ruajt prej këtyre fjalëve, Allahu iu drejtua dhe u tha: “Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”. (El-Maide: 74)

    Allahu i hapi dyert e Tij për të gjithë të penduarit, e zgjat Dorën e Tij gjatë natës që t’ia falë mëkatarit të ditës dhe e zgjat Dorën e Tij gjatë ditës që t’ia falë mëkatarit të natës, dhe në një hadith Kudsij tha: “O robërit e Mi! Ju bëni mëkate natë e ditë e Unë i shlyej të gjitha mëkatet. Pra, kërkoni nga Unë falje dhe Unë do t’ju fal!”. Kurse në Librin e Tij tha: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti”. (Ez-Zumer: 53); “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë”. (En-Nisa: 110) Kush mendon se ka mëkat që nuk falet prej Allahut vetëm se ka menduar keq për Allahun. Sa prej njerëzve kanë qenë prej vëllezërve dhe dashamirëve të shejtanëve mirëpo Allahu ua pranoi pendimet e tyre dhe ua fali gjynahet e tyre dhe u bënë prej të devotshmëve që e falin namazin thirrin në të mirën dhe ndalojnë nga e keqja dhe e shpresojnë mëshirën e Allahut.

    O muslimanë, kush është fëlliqur me diçka nga fëlliqësira e mëkateve le të shpejtojë që të pastrohet me ujin e pendimit dhe istigfarit për arsye se Allahu i do ata që pendohen dhe ata që pastrohen (prej mëkateve). Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell një hadith ku i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Një rob (i Allahut) bëri një mëkat dhe tha: “O Zoti im, ma fal mëkatin!”. Allahu atëherë tha: “Robi Im ka bërë një mëkat duke e ditur se Zoti i tij i fal mëkatet, por edhe dënon për ta”. Robi përsëri bëri një mëkat tjetër dhe tha: “O Zot, ma fal mëkatin!” I Lartmadhëruari tha: “Robi Im ka bërë një mëkat dhe ka ditur se Zoti i tij fal dhe dënon”. Robi bëri edhe një mëkat dhe përsëri tha: “O Zot, ma fal mëkatin”. Dhe i Lartmadhëruari tha: “Robi Im e ka bërë mëkatin duke e ditur se Zoti i tij fal dhe dënon për mëkatet. Vepro çka të duash, Unë të kam falë!”

    Ukbeh ibën Amir, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se një njeri kishte ardhur tek i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut, nëse robi bën mëkat çka bëhet”. Iu përgjigj: “I shënohet ajo vepër”. Por nëse pendohet, i tha. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, iu përgjigj: “I falet mëkati dhe i pranohet pendimi”. Nëse prapë i kthehet mëkatit, i tha. Iu përgjigj: “I shënohet ajo vepër”. Por nëse kërkon falje dhe pendohet, i tha. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, iu përgjigj: “I falet mëkati dhe i pranohet pendimi dhe Allahu nuk mërzitet që t’ua fal mëkatet derisa ju të mërziteni të kërkoni falje prej Allahut”.

    Është pyetur Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, për robin që bën mëkat dhe ka thënë: “Le të kërkojë falje se Allahu ia falë”. I është thënë: “Po nëse prapë kthehet”. Është përgjigjur: “Le të kërkojë falje se Allahu ia falë”. Prapë i është thënë: ““Po nëse prapë kthehet”. Është përgjigjur: “Le të kërkojë falje se Allahu ia falë”. Po deri kur kështu, është pyetur. Tha: “Derisa shejtani të bëhet i pikëlluari dhe i brengosuri”.

    Është pyetur Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, se a nuk është turp për ndonjërin nga ne që t’i pendohemi Allahut e pastaj t’i kthehemi mëkatit, e pastaj prapë t’i kthehemi pendimit e pastaj mëkatit? U përgjigj: “Kishte pasur dëshirë shejtani që t’ju fiton në këtë mënyrë. Për këtë arsye mos u mërzitni asnjëherë prej istigfarit”.

    O muslimanë, përveç pendimit dhe istigfarit veprat e mira prej adhurimeve detyruese dhe vullnetare janë shkak për shlyerjen e mëkateve dhe ngritjen e gradave. Pastrimi, agjërimi, lëmoshat, haxhi, xhihadi, e shumë vepra të tjera janë shkaqe për faljen e mëkateve. Kush pastrohet në shtëpinë e vet e pastaj niset për në njërën nga shtëpitë e Allahut dhe në të e fal farzin prej farzeve të Allahut, hapat e tij për në xhami do të bahen shkak për faljen e gjynaheve dhe ngritjen e gradave. Pesë kohërat e namazit, Xhumaja deri në Xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër, i fshijnë mëkatet që janë ndërmjet tyre, për aq sa iu largohet mëkateve të mëdha. Ai i cili pastron trupin ditën e Xhuma, pastaj niset për ta falur namazin, i falë ato që është i detyruar t’i falë, e dëgjon hutben me vëmendje, pastaj falet me imamin, Allahu ia falë mëkatet nga kjo Xhuma deri në Xhumanë tjetër, dhe për tri ditë të tjera shtesë. Ky kapitull është shumë i gjerë dhe në të hyn po ashtu edhe morali i lartë, kërkimi i diturisë, prezantimi në mexhlise ku përmendet Allahu, ushqimi të varfërve, mëshira ndaj kafshëve, largimi i pengesave prej rruge, për këtë arsye përgëzohuni, veproni mos u mërzitni dhe keni mendim të mirë për Allahun.

    Po ashtu shkaqeve që i shlyejnë mëkatet u shtohet edhe ajo që e godet muslimanin nga belatë dhe sprovat në fëmijë, pasuri apo trup dhe nga ajo që e ballafaqon gjatë jetës prej problemeve e brengave. Këto të gjitha janë shkaqe për faljen e mëkateve dhe larjen e gjynaheve dhe ngritjen e gradave.

    Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, shënon një hadith nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nuk e godet muslimanin asnjë lodhje, asnjë sëmundje, asnjë shqetësim, asnjë trishtim, asnjë vuajtje dhe asnjë mjerim madje asnjë gjemb që e shpon, përveç se t’i fal Allahu me të prej mëkateve të tij”.

    Ebu Hurejre, Allahu qoftë kënaqur prej tij, me një hadith tjetër rrëfen se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: ”Vazhdon besimtari apo besimtarja me bela (fatkeqësi) në trupin, pasurinë apo fëmijën e tij/saj, derisa ta takojë Allahun e të mos ketë asnjë mëkat”.

    O muslimanë, robi nëse i drejtohet Allahut me synim të vërtetë dhe pendim të sinqertë i bindur në mëshirën e Allahut dhe përpiqet në veprimin e veprave të mira, në zemrën e tij depërton qetësia, hapen dyert e shpresës, e kthen vetëbesimin dhe mbulohet me mbulesën e Allahut.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”. (Et-Tehrim: 8)

    O besimtarë, frikojuni Allahut dhe dijeni se ka prej njerëzve që i mashtron shpresa e gjatë apo rinia apo pasuria e begatitë, bëjnë mëkate dhe e vonojnë pendimin. Ky lloj i njerëzve nuk e mashtron vetëm se vetveten, nuk e mendon dënimin dhe nuk i frikohet përfundimit të keq dhe në fund caktimi i Allahut e gjen të papërgatitur: “Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. (En-Nisa: 18)

    Ka prej njerëzve të cilët kur bëjnë mëkat nxitojnë në pendim. Këta janë bërë kujdestar të vetvetes që nxitojnë në larjen e gjynaheve duke kërkuar falje dhe duke vepruar vepra të mira dhe duke i shpresuar Xhenetin, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë, pra, për këta do të ketë si shpërblim falje madhështore (të gjynaheve) nga ana e Zotit të tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky për ata që punojnë (vepra të bukura)”. (Ali Imran: 135-136)

    Shejh Dr. Salih El Humejd

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • PERSONAT QË LIROHEN NGA AGJËRIMI

    PERSONAT QË LIROHEN NGA AGJËRIMI

    ARSYEJA E QARTË DHE ARSYEJA E FSHEHTË

    I sëmuri me sëmundje të rëndë, udhëtari në rrugë të shpejta (autostrada) dhe lehona, nuk është problem po qe se hanë dhe pinë haptazi para atyre që e dinë arsyen e mosagjërimit të tyre.

    Ndërsa, gruaja me menstruacione dhe disa raste tjera që arsyeja e mosagjërimit të tyre është e fshehtë dhe e paqartë për njerëzit, më mirë është të mos hanë dhe pinë haptazi, për shkak se mund t’i akuzojnë padrejtësisht dhe madhështia e Ramazanit të bjerë nga sytë e njerëzve, gjë që nuk duhet të lejojmë të ndodhë.

    UDHËTARI

    Kur lejohet udhëtari ta prishë agjërimin?

    Gjatë udhëtimit për të mos mbajtur agjërim, kusht është:

    – Mos të bëjë hile, duke marrë udhëtim enkas, me qëllim që t’i lejohet prishja e agjërimit.

    – Udhëtimi të mos jetë për të bërë gjynah. Distanca e udhëtimit të jetë në suazat e rregullave të fesë që llogaritet udhëtim (mbi 80 km ose sipas traditës). Duhet ta kapërcesh vendbanimin tënd dhe pas teje t’i lësh shtëpitë e fundit e pastaj e prish agjërimin.

    Nëse ka vështirësi (në udhëtim), më mirë është mos të mbajë agjërim, përndryshe, në rrethana të tjera, më mirë është të mbajë agjërim (gjatë udhëtimit).

    Nëse dielli perëndon para se të udhëtosh, duhet të çelet iftari. Pastaj, nëse menjëherë, sapo që fluturon aeroplani, e sheh diellin (nga aeroplani), nuk obligohesh ta lësh ushqimin, por vazhdon me ngrënie dhe pirje.

    Nëse aeroplani fluturon para se të perëndojë dielli dhe ti dëshiron ta mbash dhe mos ta prishësh agjërimin në udhëtim, atëherë pret derisa të perëndojë dielli mbi vendin ku gjendet në qiell aeroplani.

    GRUAJA ME MENSTRUACIONE DHE LEHONA

    Po qe se gruaja me menstruacione dhe lehonia në Ramazan pastrohen para se të lindë agimi (para imsakut), qoftë edhe një minutë para imsakut, ato detyrohen të agjërojnë dhe nuk është problem nëse lahen pas imsakut, por jo të vonohen deri në lindjen e diellit, sepse namazin e sabahut duhet ta falin brenda kohës së vet të përcaktuar.

    Po ashtu, nëse gruaja mban agjërim dhe ditën e ndien që koha e menstruacioneve është afër, por gjaku del pasi të perëndojë dielli, agjërimi i saj është në rregull.[1]

    Nëse lehona pastrohet para se t’i kryejë dyzet ditë, në këtë rast ajo duhet të nis të agjërojë, të falet, i lejohet ta bëjë umrenë si dhe kontaktet intime me burrin e saj. Por, po qe se i kthehet gjaku brenda dyzet ditëve pasi është pastruar, më e saktë është se ky gjak llogaritet gjak i lehonisë. Ndërsa, sa i përket agjërimit, namazit dhe haxhit të saj që i ka kryer pasi ajo e ka llogaritur se është pastruar nga lehonia, të gjitha ato i llogariten të sakta, nuk duhet të kompensojë gjë përderisa ato i ka kryer gjatë periudhës kur ajo ishte e pastër.[2]

    Nëse gruaja aborton dhe dalin prej saj copa të embrionit ende të pazhvilluar në formën e njeriut, tek ai nuk shihet përshkrimi i ndonjë organi si dora apo koka, në këtë rast gjaku që del prej saj është gjak çrregullimi (hemorragji) e jo gjak lehonie. Ajo duhet të falet, të agjërojë Ramazanin dhe i lejohen marrëdhëniet me burrin. Për çdo namaz duhet të marrë abdes dhe, po ashtu, i lejohet ta bëjë bashkimin e namazeve, namazin e drekës me ikindinë dhe namazin e akshamit me jacinë (i fal të plota dhe jo të shkurtuara). Pëlqehet të pastrohet para namazeve të bashkuara dhe për namazin e sabahut.[3]

    – Gruaja shtatzënë nëse e aborton embrionin e saj:

    Nëse qartësohet te embrioni se ka filluar të marrë formën e njeriut, pra shihen qartë vijat e kokës, duarve dhe këmbëve të tij, në këtë rast gjaku që del nga gruaja pas abortit, është gjak lehonie. Ajo duhet ta lërë namazin dhe agjërimin, si dhe i ndërpritet koha e idetit.[4]

    Nëse tek embrioni nuk shfaqen shenja se ka nisur krijimi në formën e njeriut, atëherë gjaku që del pas abortit është gjak çrregullimi dhe jo lehonie. Gruaja në këtë rast duhet të falet dhe të agjërojë.

    Koha më e përafërt ku mund të qartësohet nisja e krijimit të organeve te embrioni është 81 ditë prej nisjes së shtatzënisë, në të shumtën e rasteve 90 ditë.[5] Nëse gruaja aborton pas 90 ditëve, mirëpo mjekët e informojnë nënën që embrioni e ka ndërprerë zhvillimin e tij para se t’i mbushë 90 ditë, në këtë rast për bazë merret se a ka filluar të shihet qartë forma e njeriut.

    SUFRA DHE KUDRA[6]

    Dispozita e lëngjeve (sufra apo kudra), që gruaja i sheh para menstruacioneve[7]:

    Nëse lëngu është i ndarë nga gjaku, pra vjen veç, atëherë nuk është gjak menstruacioni. Në këtë rast ajo duhet ta falë namazin, të agjërojë dhe të marrë abdes për çdo namaz.

    Nëse lëngu është i bashkëngjitur me gjakun e menstruacioneve, atëherë është gjak i menstruacioneve. Gjatë kësaj periudhe gruaja nuk e fal namazin dhe nuk agjëron.[8]

    NËSE GRUAJA PASTROHET NGA MENSTRUACIONET GJATË DITËS NË RAMAZAN

    Nëse gruaja pastrohet nga menstruacionet gjatë ditës në Ramazan, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve[9], ajo duhet të braktisë ushqimin dhe pijen dhe të agjërojë pjesën e mbetur të ditës, për shkak se arsyeja sheriatike për mosagjërim ka kaluar. Këtë ditë pas Ramazanit duhet ta kompensojë (edhe pse e ka agjëruar një pjesë të ditës).[10]

    PËRDORIMI I BARNAVE QË E PENGOJNË ARDHJEN E MENSTRUACIONEVE

    “Lejohet përdorimi i barnave që e pengojnë ardhjen e menstruacioneve gjatë Ramazanit nëse përdorimi i tyre nuk e dëmton shëndetin në përgjithësi.”[11]

    Mjekët e kanë vërtetuar që këto barna kanë ndikim negativ në trup. Dijetari, Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Është vërtetuar se këto ilaçe kanë ndikim negativ në shëndet dhe në mitër.”[12]

    Për këtë shkak, gruaja më mirë është t’i lërë menstruacionet të vijnë në kohën e vet, t’i iket përdorimit të barnave që e pengojnë ardhjen e menstruacioneve dhe ta ruajë shëndetin e saj. Menstruacionet janë gjë e natyrshme që Allahu e ka përcaktuar për femrën.”[13]

    Kur gruaja pajtohet me natyrshmërinë dhe me atë që e ka përcaktuar Allahu për të, kjo është ndër veprat më të mira që e afrojnë tek Allahu (në Ramazan dhe jashtë Ramazanit). Ajo ka fusha të tjera që mund të veprojë, përveç namazit dhe agjërimit që i ndalohen gjatë kësaj periudhe, sikurse duaja, dhikri, lëmosha etj.

    Xhuvejbiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “I thashë Dahakut: Lehona dhe gruaja me menstruacione a kanë hise në Natën e Kadrit? Më tha: ‘Po. Çdonjërit që Allahu ia pranon veprat e tij, do t’ia japë hisen e tij nga Nata e Kadrit.’ ”[14]

     

    Dr. Muhamed el Munexhidi

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë e librit: Zahireja e agjëruesit (është i përkthyer në gjuhë shqipe)

     

    [1] Mexhmua Fetava Ibn Baz (15/17, 192).

    [2] Mexhmua Fetava Ibn Baz (10/211).

    [3] Mexhmua Fetava Ibn Baz (10/229).

    [4] Pasi e ka divorcuar burri apo i ka vdekur burri. (sh.p.)

    [5] Mexhmua Fetava Ibn Uthejmin (19/258).

    [6] Sufra dhe kudra janë dy lëngje që dalin nga gruaja ndonjëherë para dhe ndonjëherë pas menstruacioneve. Sufra është një lëng me ngjyrë të verdhë si qelbi i plagëve, ndërsa kudra është një lëng me ngjyrën e ujit të turbullt dhe i përzier me të kuqe. (sh.p.)

    [7] Nëse i sheh pas menstruacioneve, pra pasi të pastrohet, lëngu nuk llogaritet nga menstruacionet. (sh.p.)

    [8] Mexhmua Fetava Ibn Baz (10/207).

    [9] Një grup dijetarësh thotë që obligohet të lërë ushqimin dhe të agjërojë pjesën e mbetur të ditës, ndërsa një grup tjetër i dijetarëve thotë që nuk obligohet ta agjërojë pjesën tjetër të ditës, sepse ajo nijetin për agjërim nuk e ka bërë prej para imsakut, por, megjithatë, pëlqehet, për çdo rast, të lërë ushqimin dhe ta agjërojë pjesën e ditës që ka mbetur. (sh.p.)

    [10] Mexhmua Fetava Ibn Baz (15/193).

    [11] Fetava el-Lexhnetu ed-Daime (5/389).

    [12] Mexhmua Fetava Ibn Uthejmin (19/259).

    [13] Mexhmua Fetava Ibn Uthejmin  (19/268).

    [14] Lataiful Mearif (fq. 207).

  • UMREJA NË RAMAZAN

    UMREJA NË RAMAZAN

    E BARABARTË ME HAXHIN

    Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Umreja në Ramazan është e barabartë me haxhin (në shpërblim).”[1]

    Kush e kryen umrenë pas perëndimit të diellit të ditës e 30-të të muajit Shaban apo pasi të vërtetohet pamja e hënës, umreja e tij llogaritet të jetë kryer në Ramazan.

    DISA VËREJTJE PËR ATA QË E KRYEJNË UMRENË

    Gjatë umresë mund të ketë kallaballëk njerëz dhe kjo vështirësi e atypëratyshme vetëm se e shton shpërblimin me lejen e Allahut.

    Megjithatë duhet marrë parasysh disa gjëra:

    Të përkujdesemi që umrenë ta kryejmë gjatë kohës kur nuk ka shumë njerëz.

    Pasi ta bëjmë nijetin e umresë, nuk lejohet më pas ta lirojmë atë shkaku i kallaballëkut, përveç, nëse paraprakisht e bëjmë kusht.

    Duhet të kemi kujdes të mos përzihemi me gra apo t’i prekim gjatë kryerjes së tavafit.

    Bërja e tavafit, qoftë edhe më larg Qabesë apo në katet e sipërme, por me përulje, është më e vlefshme sesa të bëhet afër Qabesë, por pa përulje.

    Duhet të kemi kujdes që gjatë tavafit Qabeja të jetë në anën tonë të majtë e, nëse ikim pak në të majtë apo në të djathtë, nuk është problem.

    Ai që gjatë tavafit ndien vështirësi shkaku i kallaballëkut, mund të ndalet të pushojë pak e pastaj të vazhdojë.

    Nëse ka kallaballëk, urtësi është që dy rekatet pas kryerjes së tavafit, t’i falim kudo që gjejmë vend të përshtatshëm në Qabe dhe jo të këmbëngulim t’i falim te “mekami Ibrahim”.

    Ai që nuk është umrexhi, për të më e mirë është që tavafin ta lërë për në ditët kur nuk ka kallaballëk, kështu ua lehtëson vëllezërve që kanë ardhur për umre.

    Ata që duan të kryejnë edhe një umre tjetër, prej xhamisë et-Ten’im apo prej vendeve të tjera[2], (për ta bërë nijetin dhe veshur ihramin) i rëndojnë umrexhitë (që kanë ardhur nga larg). Përsëritja e umresë duke qenë në Mekë, nuk është prej gjërave që pëlqehet.

    Prej sunetit në kohën e kallaballëkut është të bëhet me dorë kah “Guri i Zi” dhe jo të preket.

    Është mirë që gjatë kallaballëkut mos të barten gjëra të shtrenjta, sepse mund të humbin apo të na i vjedhin në kallaballëk.

    NUK KA PENGESË

    Gruaja gjatë menstruacioneve nuk ka pengesë të hyjë në Meke, por për ta bërë umrenë ajo duhet të jetë e pastër. Ajo e cila nuk është e sigurt se a do të pastrohet para se të kthehet në vendlindje, nuk ka pengesë të hyjë në Meke pa e bërë nijetin për umre e, nëse pastrohet gjatë qëndrimit të saj, atëherë duhet të dalë të shkojë deri te vendi et-Ten’im ta bëjë nijetin dhe të kthehet në Meke për ta kryer umrenë. Përndryshe, nëse nuk pastrohet gjatë qëndrimit të saj në Meke, duhet të kthehet pa e kryer umrenë.

     

    Dr. Muhamed el Munexhidi

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë e librit: Zahireja e agjëruesit (është i përkthyer në gjuhë shqipe)

     

    [1] Buhariu (1863), Muslimi (1256).

    [2] Në vende të tjera prej ku bëhet nijeti për umre. Xhamia et-Ten’im apo që njihet si xhamia e Aishes i, është vendi prej ku umrexhiu e bën nijetin e umresë. Xhamia është diku 7 kilometra larg Qabesë. Umrexhiu apo banorët e Mekes shkojnë deri aty dhe e bëjnë nijetin për umre. (sh.p.)

  • GJËRAT QË E PRISHIN AGJËRIMIN

    GJËRAT QË E PRISHIN AGJËRIMIN

    LLOJET E GJËRAVE QË E PRISHIN AGJËRIMIN

    Njëri lloj i gjërave që e prishin agjërimin është ai i zbrazjes, si marrëdhëniet[1], vjellja me qëllim[2] menstruacionet ose lehonia te gratë dhe bërja e hixhames.

    Ndërsa lloji tjetër është ai i mbushjes, si ushqimi dhe pija.[3]

    GJËRAT QË NUK E PRISHIN AGJËRIMIN

    Janë:

    Enema për pastrimin e zorrëve[4], pikat për syrin, pikat për veshin dhe inhalatori për astmën.

    Marrja e gjakut për analiza, gjakderdhja nga hunda, gjaku që del nga nxjerrja e dhëmbit, apo plaga.

    Vjellja që del vetë pa qëllim (pa e nxitur apo futur gishtin për të vjellë).

    Shpërlarja e gojës me kusht që uji (apo ilaçi) të mos arrijë deri në fyt.

    Pomada dhe leukoplasti (fashat ngjitëse) për mjekim.

    Gëlltitja e pështymës, e pluhurit të rrugës dhe nuhatja e erërave.

    Rregullimi i dhëmbit, nxjerrja e dhëmbit, pastrimi i dhëmbëve, përdorimi i misvakut pa aroma artificiale, përdorimi i brushës dhe pastës për dhëmbë, shpërlarja e gojës, ilaçet që përdoren për shpërlarjen e gojës, inhalatori që vendoset në gojë, shijimi i ushqimit nëse ka nevojë; të gjitha këto nuk e prishin agjërimin përderisa nuk arrijnë deri në fyt.

    Injeksionet që nuk janë ushqyese si penicilina dhe insulina, injeksioni i narkozës, vaksina, injektimi i kontrastit që jepet nëpërmjet muskujve apo venave për imazhe grafike të trupit, gastroskopia e lukthit (me kusht që tubit të mos i vendosen preparate ushqyese si yndyrë dhe lëngje), supozitorët vaginalë, supozitorët që futen në zorrën e trashë, endoskopia gjinekologjike (futja e endoskopit në mitrën e gruas) dhe vendosja e spirales.

    PËRDORIMI I SYRMËS PËR AGJËRUESIN

    Syrma (lyerja e syve me bojë për qepalla) nuk e prish agjërimin sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Megjithatë, përdorimi i saj natën është më mirë për agjëruesin. Po ashtu, lejohet përdorimi i sapunit dhe kremrave për zbukurimin e fytyrës dhe të lëkurës, si këna, kozmetika etj. Nëse kozmetika është e dëmshme për fytyrën, më mirë është të mos përdoret.[5]

    LENTE KONTAKTI (THJERRËZA)

    Agjëruesit i lejohet të përdorë lente kontakti për sy, po ashtu i lejohet ta përdorë ujin për thjerrëzat që pikohet në sy, sepse është i njëjtë me pikat për sy dhe ato nuk e prishin agjërimin, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve.

    Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk është problem që agjëruesi të përdorë pika për sy apo për vesh, edhe nëse e ndien shijen e pikave në fytin e tij. Ato nuk e prishin agjërimin, sepse nuk konsiderohen ushqim dhe pije, madje as nuk i ngjasojnë ushqimit apo pijes.”[6]

    PËRDORIMI I ZBUTËSVE PËR BUZË

    Zbutësit e buzëve dhe të hundës si kremrat dhe të ngjashmet me to, lejohen të përdoren gjatë agjërimit. Po ashtu, lejohet që buzët të lagen dhe të zbuten me ujë, mirëpo duhet pasur kujdes që uji mos të arrijë deri në lukth. E, nëse uji shkon brenda pa qëllim, agjërimi është në rregull dhe nuk prishet. Njëjtë vlen edhe për shpërlarjen e gojës, nëse uji shkon deri në lukth pa qëllim, agjërimi nuk prishet.[7]

    PËRDORIMI I MISVAKUT GJATË AGJËRIMIT

    Përdorimi i misvakut gjatë tërë ditës është prej sunetit dhe për këtë ka shumë argumente. Me përdorimin e misvakut agjëruesi nuk e humb shpërblimin e erës që del nga goja e agjëruesit, misvaku nuk e largon atë erë, sepse ajo vjen nga lukthi e jo nga goja. Agjëruesi duhet pasur kujdes nga përdorimi i misvakut me aroma artificiale si me shije limoni dhe nenexhiku, sepse ato janë shtojca që mund të arrijnë deri në fyt dhe e prishin agjërimin.

    NGA FIKHU (KUPTIMI I THELLË I FESË) I MUADHIT h

    I thanë Muadh ibn Xhebelit h: “Nuk po u pëlqen njerëzve që agjëruesi ta përdorë misvakun gjatë pasdites. Po thonë ‘era që del nga goja e agjëruesit është më e mirë tek Allahu se era e miskut’.”

    Muadhi h tha: “Subhanallah (i lavdëruar qoftë Allahu)! Po Pejgamberi ﷺ i urdhëroi ta përdorin misvakun, ai e ka ditur që nga goja e agjëruesit patjetër do të dalë erë, edhe nëse e përdor misvakun. Ndërsa ata që urdhërojnë të mos përdoret misvaku që qëllimshëm të dalë erë nga goja, në fjalët e tyre nuk ka gjë të mirë, ka veç sherr.”[8]

    Ndërsa hadithi: “Po qe se agjëroni, përdoreni misvakun gjatë ditës dhe mos e përdorni atë gjatë natës”, është i dobët.[9]

    SHIJIMI I USHQIMIT

    Nëse ka nevojë, nuk është problem për agjëruesen ta shijojë ushqimin, (duke e provuar atë me majë të gjuhës) e, pasi e provon, e nxjerr nga goja dhe nuk gëlltit diçka nga ushqimi.

    El-Hasan el-Basrij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Nuk ka pengesë që agjëruesi të shijojë mjaltin, gjalpin etj., e pastaj ta nxjerrë nga goja.”[10]

    Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk pëlqehet agjëruesi ta shijojë ushqimin pa pasur nevojë.”[11]

    Në fetvanë e Komisionit të Përhershëm të Fetvave citohet: “Agjëruesi, në esencë, nuk duhet ta provojë ushqimin, përveç nëse ka nevojë.”[12]

    NUHATJA E ERËRAVE

    Agjëruesit i lejohet nuhatja e erërave të mira, apo parfumit etj., mirëpo nuk i lejohet thithja me hundë e erëzave dhe as e avullit që del nga ushqimi, sepse mund të përmbajnë materie që mund të depërtojnë deri në lukth e kështu ta prishë agjërimin apo ta pakësojë shpërblimin e tij. Në këso rastesh, agjëruesi le ta kujtojë hadithin kudsij ku lavdërohet agjëruesi: “Ai e ka braktisur epshin e tij, ushqimin dhe pijen e tij për hir Timin.”[13]

    AGJËRIMI I ATIJ QË BËHET XHUNUB

    Nëse hyn koha e agimit dhe agjëruesi është xhunub, agjërimi i tij është në rregull. Lejohet të vonohet pastrimi nga xhunubllëku, menstruacionet dhe lehonia deri pas lindjes së agimit (hyrja e kohës së sabahut), megjithëkëtë më mirë është të nxitojë të pastrohet për shkak të faljes së namazit në kohën e vet. Nëse bëhet xhunub në gjumë, agjërimi nuk prishet, në krahasim me atë i cili masturbon gjatë ditës, ai e prish agjërimin, sepse masturbimi[14] gjatë ditës e prish agjërimin.

    DALJA E LËNGUT MEDHIJ DHE VEDIJ

     

    Dalja e lëngut medhij (paraspermal)[15] nuk e prish agjërimin, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, sepse, në esencë, nuk llogaritet nga gjërat që e prishin agjërimin dhe vështirë është të ruhesh që të mos dalë.[16]

    Ndërsa vedij është ujë i ngjitshëm i trashë i cili del pas urinimit dhe nuk del shkaku i kënaqësisë apo epshit. Ky lëng nuk e prish agjërimin dhe nuk e detyron pastrimin (e plotë të trupit), por ajo që detyrohet është të pastrohet organi dhe të merret abdes.[17]

    GJËRAT QË E PRISHIN AGJËRIMIN

    – Prej gjërave që e prishin agjërimin janë:

    Ngrënia dhe pirja me qëllim dhe çdo gjë tjetër që është në kuptim të ushqimit dhe pijes, si: marrja e injeksioneve ushqyese, të cilat përdoren si zëvendësim për ushqimin dhe pijen[18], transfuzioni i gjakut në trupin e agjëruesit dhe dializa.

    Marrëdhëniet intime, pavarësisht a ejakulon apo jo, po ashtu masturbimi duke e nxjerrë spermën me qëllim.

    Bërja e hixhames dhe donacioni (dhurimi) i gjakut.[19]

    Vjellja me qëllim.

    Çdo gjë që depërton deri në fyt me qëllim, qoftë edhe nëpërmjet hundës si pikat e hundës.

    Avulli i cili kondensohet dhe depërton në fyt.

    – Me rëndësi është të dihet se:

    Agjëruesit nuk i prishet agjërimi i tij, përderisa nuk plotësohen tri kushte:

    Të ketë dijeni për dispozitën (i padituri për dispozitën nuk bën pjesë këtu).

    Ta bëjë me vetëdije (dhe jo me harresë).

    Ta bëjë me dëshirë (dhe të mos i imponohet).

    DALJA E GJAKUT PREJ AGJËRUESIT

    Dalja e gjakut me hixhame e prish agjërimin duke u mbështetur në hadithin: “E ka prishur agjërimin ai që e ekzekuton hixhamen (mjeku) dhe atij që i bëhet hixhamja.”[20]

    Dhënia e gjakut me vetëdëshirë në sasi të madhe, si në rastin e donacionit të gjakut, e prish agjërimin. Në raste specifike dhe të domosdoshme kur duhet të dhurohet gjak, agjëruesi e prish agjërimin dhe e kompenson atë ditë pas Ramazanit.

    Ajo që del nga gjaku pa dëshirën e njeriut si gjakderdhja nga hunda, gjaku nga plaga e shkaktuar me thikë apo gjaku gjatë aksidenteve, nuk e prish agjërimin, edhe nëse del në sasi të madhe.

    Gjaku që del në sasi të vogël sikur që merret për analiza të gjakut, nuk e prish agjërimin.[21]

    DIALIZA E VESHKËVE

    Me dializë nënkuptojmë procesin e daljes së gjakut jashtë trupit, i cili pastrohet dhe po kështu kthehet në trup, duke iu shtuar disa substanca ushqyese në gjak. Për këtë shkak, dializa llogaritet nga gjërat që e prishin agjërimin.[22] Ato ditë që i sëmuri shkon në dializë, e prish agjërimin dhe ato pastaj i kompenson pas Ramazanit (kur të jetë më lehtë për të).

    O ti që je i sprovuar me dializë! Duro gjatë kësaj sprove. Ndërsa, o ti që je i shëndoshë, falënderoje Allahun për shëndetin që e posedon!

    NDËRPRERJA E AGJËRIMIT

    Kush e nis agjërimin e pastaj dëshiron ta prishë atë, duhet ta dijë se:

    Nëse agjërimi i tij është vullnetar si gjashtë ditët e Shevalit, nuk është problem nëse e prish. Pejgamberi ﷺ thotë: “Agjëruesi që agjëron vullnetarisht është udhëheqës i vetes, nëse do, agjëron e, nëse nuk do, e prish.”[23]

    A, nëse agjërimi i tij është farz si kompensimi i Ramazanit, apo agjërim për zotimin e bërë, apo agjërim për shpagim; në këto raste nuk lejohet ta prishë, përveç nëse ka arsye të shëndoshë si sëmundja etj. E, nëse e prish pa arsye, atëherë obligohet ta kompensojë atë ditë dhe prej tij kërkohet të pendohet (sepse ka bërë gjynah).[24]

    Dr. Muhamed el Munexhidi

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë e librit: Zahireja e agjëruesit (është i përkthyer në gjuhë shqipe)

    [1] Dhe masturbimi gjatë ditës. (sh.p.)

    [2] Futja e gishtit në fyt me qëllim apo nxitja e të vjellit me qëllim. (sh.p.)

    [3] Mexhmua Fetava Ibn Tejmije (25/248).

    [4] Enema apo klizmë pastrimi. Ekzistojnë disa arsye kryesore kur nevojitet një klizmë: nëse njeriu ka kapsllëk (konfirmohet nga një mjek), nëse helmohet me ushqim, nëse është e nevojshme për të injektuar medikamente me rektale. (sh.p.)

    [5] Mexhmua Fetava Ibn Baz (10/260).

    [6] Mexhmua Fetava Ibn Uthejmin (19/205).

    [7] Mexhmua Fetava Ibn Uthejmin (19/224).

    [8] Taberaniu në el-Muaxhem el-Kebir (133), Ibn Haxheri në et-Telhis (2/443) dhe thotë që zinxhiri i hadithit është i mirë.

    [9] Silsiletu el-Ehadith ed-Daife (401).

    [10] Ibn Ebi Shejbe në el-Musanaf (3/47), me zinxhir të vërtetë prej Hasan el-Basriu.

    [11] Fetava el-Kubra (4/474).

    [12] Fetava Lexhnetu ed-Daime (10/444).

    [13] Buhariu dhe Muslimi nga hadithi i Ebu Hurejrës h.

    [14] Ai që masturbon gjatë natës, agjërimi i tij i ditës është në rregull, por gjynahun e masturbimit e merr me vete. Masturbimi ndalohet dhe ai i cili e vepron, duhet të pendohet. (sh.p.)

    [15] Medhij nuk është spermë, por është lëng paraspermal i cili del nga organi gjenital në rast të epshit dhe del pa shpejtësi apo ndonjë kënaqësi. Zakonisht vjen nga mendimet ose nga fërkimet mes burrit dhe gruas ose nga shikimi që e nxit epshin. Ky lëng del edhe te meshkujt edhe te femrat. Është lëng i hollë dhe i bardhë dhe ndodh që të mos hetohet dalja e tij. Ky lëng nuk e prish agjërimin, mirëpo e prish abdesin. (sh.p.)

    [16] Fetava Ibn Baz (15/315).

    [17] Fetava el-Lexhnetu ed-Daime (10/279).

    [18] Pa marrë parasysh se ku merren injeksionet ushqyese ose me vitamina, në muskuj apo venë, e prishin agjërimin. (sh.p.)

    [19] Donacioni (dhurimi) i gjakut e prish agjërimin, ngase ndikon në trupin e njeriut sikurse ndikon hixhamja, prandaj nuk i lejohet agjëruesit që të dhurojë gjak, përveçse në raste specifike dhe të domosdoshme, ku i lejohet të dhurojë gjak dhe ta prishë agjërimin, pastaj këtë ditë e kompenson me ditë tjetër pas Ramazanit. (sh.p)

    [20] Ebu Davudi (2367), prej hadithit të Thevbanit h, shejh Albani e vlerësoi të saktë.

    [21]  Mexhmua Fetava Ibn Uthejmin (19/240).

    [22]  Fetava el-Lexhnetu ed-Daime (10/190).

    [23] Tirmidhiu (732), Ahmedi (26353), prej hadithit të Umu Hani i, shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [24] Mexhmua Ibn Baz (15/355).

  • NAMAZI I NATËS DHE NAMAZI I TERAVIVE

    NAMAZI I NATËS DHE NAMAZI I TERAVIVE

    1. Fjala ‘Kijamul lejl’[1] do të thotë zgjohet natën për t’u falur, para se të bjerë në gjumë ose pasi të zgjohet nga gjumi.

    Kurse fjala ‘Et-tehexhud’ është namazi që falet natën pasi zgjohet nga gjumi.

    ‘Hexhede er-rexhulu’ do të thotë fle natën.

    Fjala ‘Hexhede’ do të thotë falet natën.

    Kurse ‘El-Mutehexhid’ është ai që zgjohet nga gjumi natën për t’u falur.[2]

    1. Namazi i natës është sunet i vërtetuar (i fortë), i vërtetuar me Kuran, me Sunet dhe me unitetin e umetit.

    Allahu, kur i përshkruan cilësitë e robërve të të Gjithëmëshirshmit, thotë: “…dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë;” (El-Furkan: 64)

    Allahu në Kuran i lavdëroi të devotshmit me fjalët e Tij: “Pa dyshim, ata që i frikësohen Allahut, do të jenë në kopshte dhe burime, duke marrë atë që ua ka dhuruar Zoti i tyre, meqë më parë kanë qenë punëmbarë. Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 15-18)

    “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ta (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde: 16-17)

    “A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarin)?! Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!” (Ez-Zumer: 9)

    Ka edhe shumë ajete të tjera ku në to Allahu i lavdëroi të devotshmit.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Agjërimi më i mirë pas agjërimit të Ramazanit, është agjërimi i muajit Muharrem. Namazi më i mirë pas namazit farz, është namazi i natës.”[3]

    1. Disa dijetarë, bazuar në hadithin e lartpërmendur, thanë që namazi i natës, në mënyrë absolute, është namazi më i vlefshëm pas namazit farz. Në anën tjetër, shumica e dijetarëve thanë që namazi i natës është namazi më i vlefshëm pas namazit farz dhe pas suneteve të vazhdueshme (të forta që falen para dhe pas namazit farz), ndërsa për hadithin e lartpërmendur thanë që për qëllim është se namazi i natës është më i mirë se çdo namaz vullnetar i përgjithshëm, pa i përfshirë këtu sunetet e vazhdueshme.

    Dijetarët janë unikë se namazi vullnetar gjatë natës është më i vlefshëm se namazi vullnetar gjatë ditës. Po ashtu, istigfari (kërkimfalja) në kohën e agimit është më i vlefshëm se në kohët e tjera.

    1. Namazi i natës është një nga shkaqet që e fusin njeriun në Xhenet dhe i ngrihen shkallët në të. Pejgamberi ﷺ thotë: “Në Xhenet ka dhoma, pjesa e jashtme e tyre duket nga brenda dhe pjesa e brendshme e tyre duket nga jashtë… Allahu i ka përgatitur për atë që flet mirë, jep ushqim, agjëron dhe falet natën kur njerëzit janë në gjumë.”[4]

    Fjalët e para që Pejgamberi ﷺ i tha kur hyri në Medine ishin: “O ju njerëz, përhapeni selamin, jepni ushqim, faluni natën kur njerëzit janë në gjumë, do të hyni me paqe në Xhenet.”[5]

    1. Namazi i natës është një nga shkaqet që e shpëtojnë njeriun nga ndëshkimi i zjarrit.

    Rrëfehet për Abdullah ibën Omerin k se kishte parë në ëndërr dy melekë që e morën dhe e çuan te zjarri. Abdullahu filloi të thoshte: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga zjarri!” Më pas Abdullahu thotë që e takuam edhe një melek tjetër, i cili më tha: “Mos u friko, nuk do të dëmtohesh.” Kur i treguan Pejgamberit ﷺ për ëndrrën tha: “Sa njeri i mirë që është Abdullah ibën Omeri, sikur të falej edhe natën.” Pas kësaj Abdullah ibën Omeri më nuk flinte natën, përveçse pak.[6]

    Dijetarët thonë: “Nga dobitë e hadithit është paraqitja e vlerës së namazit të natës dhe ai është shkak që njeriun e shpëton nga zjarri.

    Abdullah ibën Omerit i thanë: ‘Mos u friko, nuk do të dëmtohesh’, për shkak se ishte njeri i mirë dhe punëmirë, përveçse nuk falte namaz nate shumë; e sikur të falej natën, nuk do ta çonin te zjarri dhe s’kishte për ta parë atë.

    Prej atëherë që Abdullahu e pa në ëndërr se si dukej zjarri i Xhehenemit, nuk e la më namazin e natës.

    Po ashtu, nga dobitë e hadithit është se ai që falet natën përshkruhet si ‘burrë i mirë’.”[7]

    1. Namazi i natës është praktikë e njerëzve të mirë, zakoni dhe emblema e të devotshmëve, medreseja e besimtarit dhe Xheneti i tij në dynja.

    Allahu në Kuran i lavdëroi robërit e Tij të devotshëm me fjalët: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18)

    “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ta (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde: 16-17)

    “…dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë.” (El-Furkan: 64)

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Faleni namazin e natës, sepse ai është praktikë e njerëzve të mirë para jush, shkak që t’i afroheni Zotit tuaj dhe që t’ju falen mëkatet. Namazi i natës e ndalon të keqen dhe e largon sëmundjen prej trupit.”[8]

    1. Prishja e gjumit, braktisja e shtratit të ngrohtë dhe ngritja për namazin e natës janë sebepe që Allahu ta dojë robin dhe ta lavdërojë veprën e tij.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Zoti ynë çuditet me dy persona: Njeriu që ngrihet prej shtratit dhe familjes e shkon në namaz. Atëherë Allahu thotë: ‘O ju melekët e Mi, shikojeni robin Tim si është ngritur për namaz, e ka lënë shtratin dhe familjen dhe ka ardhur në namaz, nga dëshira dhe malli që ta fitojë atë që është tek Unë’.

    Dhe me tjetrin që doli të luftonte në rrugë të Allahut, bashkëluftëtarët e tij e humbën betejën, ndërsa ky mbeti të vendoste në mes ikjes dhe qëndrimit, e dinte shpërblimin e çdonjërës vepër, prandaj u kthye në betejë derisa u derdh gjaku i tij. Allahu u tha melekëve: ‘O ju melekët e Mi, shikojeni robin Tim, u kthye nga dëshira dhe malli që ta fitojë atë që është tek Unë, derisa u derdh gjaku i tij’.”[9]

    I pari prej tyre e la shtratin për Allahun, i dha përparësi veprës që e do Allahu para veprës që e do shpirti i tij, u ngrit dhe i radhiti këmbët për namaz për Zotin e tij, e shpërblimi ishte përjetësi në kopshtet e begata të Xhenetit, ashtu siç Allahu thotë: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ta (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde: 16-17)

    Muhamed El-Kuredhij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ata e fshehën veprën (u falën natën kur nuk i shihte askush) dhe si shpërblim Allahu e fshehu për ata sevapin (në jetën tjetër). U ngritën natën, e synuan Allahun, andaj u gëzuan sytë dhe shpirtrat e tyre.”[10]

    Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Medito se si Allahu i shpërbleu për fshehjen e namazit të natës; me shpërblime që askush nuk di se çfarë janë fshehur për ata (në jetën tjetër). Dhe medito se si Allahu i shpërbleu për mërzinë, frikën dhe mallëngjimin që e kishin në shtrat dhe zgjoheshin për namaz nate; i shpërbleu me gëzimin e syve dhe shpirtrave të tyre në Xhenet.”[11]

    Ai që natën e prish gjumin dhe e lë shtratin e ngrohtë është nga të devotshmit që për ta Allahu thotë: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18)

    1. Namazi i natës është nder për besimtarin, shkak për ngritjen e pozitës së tij.

    Përcillet me një hadith se i erdhi një ditë Xhibrili Pejgamberit ﷺ dhe i tha: “O Muhamed, dije se lartësimi i besimtarit arrihet me namazin e natës dhe krenaria e tij është duke mos pasur nevojë për njerëzit.”[12]

    1. Leximi i Kuranit në namazin e natës është thesar i madh, nga leximi i tij privohen veç i shkujdesuri.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Kush i lexon dhjetë ajete në namazin e natës, nuk shkruhet nga të pakujdesshmit; kush i lexon njëqind ajete në namazin e natës, shkruhet nga të devotshmit; kush i lexon një mijë ajete në namazin e natës shkruhet nga pronarët me pasuri të panumërt.”[13]

    Pejgamberi ﷺ u tha shokëve të tij: “A dëshironi që kur të ktheheni te familjet tuaja t’i gjeni tri deve me bark (shtatzëna), të mëdha dhe të shëndosha?” I thanë: “Po.” Ai u tha: “Kush i lexon në namaz tri ajete, për të janë më të mira se tri deve me bark (shtatzëna), të mëdha dhe të shëndosha.”[14]

    1. Leximi i Kuranit në namazin e natës është mirësi e madhe, myslimanët njëri me tjetrin duhet që të garojnë në këtë fushë, si dhe t’ua kenë lakminë atyre që e lexojnë.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Zilia nuk lejohet, përveç në dy raste: T’ia kesh zili një njeriu që Allahu ia ka mësuar Kuranin, atë e lexon gjatë natës dhe gjatë ditës. Dhe t’ia kesh zili një njeriu që Allahu i dha pasuri dhe atë e shpenzon në rrugë të drejtë gjatë ditës dhe gjatë natës.”[15]

    Zilia e përmendur në këtë hadith nuk e ka për qëllim zilinë që ndalohet, sepse ai lakmon t’i posedojë ato begati sikurse tjetri dhe të veprojë me to sikurse vepron tjetri, por nuk e dëshiron largimin e tyre prej pronarit. Kjo lloj zilie është e pëlqyer në fushën e ibadetit. Kurse, zilia e cila ndalohet është ajo kur njeriu e dëshiron largimin e begative nga tjetri dhe zhdukjen e tyre. Kuptimi i përgjithshëm është që nuk ka zili që pëlqehet, përveç këtyre dy cilësive dhe të ngjashmeve me to në kuptim.[16]

    1. Namazi i natës është një nga format e falënderimit të Allahut për mirësinë trupore që ia dha njeriut.

    Pejgamberi ﷺ falej natën derisa i ënjteshin këmbët e tij, e i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Allahu t’i ka falur të gjitha gjynahet e mëhershme dhe të mëvonshme!” Tha: “A të mos jem rob falënderues?!”[17]

    Në Pejgamberin e Allahut ﷺ ne e kemi shëmbëlltyrën më të mirë.

    Abdullah ibën Revaha h për Pejgamberin e Allahut tha:

    “Në mesin tonë e kemi Pejgamberin e Allahut, na lexon librin e Allahut;

    Kur çelet dita në agim me shkëlqimin e saj;

    Ai na e mësoi udhëzimin me të pasi ishim të verbër;

    Zemrat të bindura plotësisht se atë që e tregon (Pejgamberi ﷺ) është e vërtetë dhe do të ndodhë;

    Kalon natën dhe trupi i tij nuk e prek shtratin;

    Kur jobesimtarët në shtrat thellohen në gjumë.”[18]

    1. Namazi i natës fillon pas namazit të jacisë e deri në lindjen e sabahut (imsakut). Namazi i natës lejohet të falet në fillim, në mes ose në fund të natës.

    Koha më e mirë për namaz është pjesa e tretë e natës. Në këtë kohë zbret Allahu në qiellin e dynjasë.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Koha, kur Zoti është më afër robit të Tij, është në pjesën e fundit të natës. Nëse ke mundësi të jesh nga ata që e përmendin Allahun në këtë kohë, bëhu prej tyre.”[19]

    Me një hadith tjetër: “Namazi më i dashur për Allahun është namazi i Davudit ndhe agjërimi më i dashur për Allahun është agjërimi i Davudit n. Ai flinte në gjysmën e parë të natës, falej në një të tretën tjetër dhe përsëri flinte në një të gjashtën që mbetej nga nata. Agjërimi i tij ishte një ditë po dhe një ditë jo.”[20]

    Me një hadith tjetër: “Zbret Allahu i Madhërishëm për çdo natë në qiellin e dynjasë kur mbetet një e treta e fundit prej saj dhe thotë: “Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush kërkon prej Meje që t’i jap? Kush kërkon falje që ta fal atë?”[21]

    1. Namazi i natës nuk ka numër të kufizuar të rekateve, mund të falen më shumë ose më pak, edhe pse shkurtimi në njëmbëdhjetë rekate është më i mirë, nga fakti që kështu veproi Pejgamberi ﷺ .

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Namazi i natës është dy nga dy. Nëse dikush nga ju frikësohet për humbjen e namazit të sabahut, le ta falë vitrin një rekat, që t’i përfundojë me tek namazet që i ka falur gjatë ditës.”[22]

    Aisha i përcjell që Pejgamberi ﷺ në Ramazan dhe jashtë Ramazanit, në namazin e natës nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate.[23]

    1. Myslimani, para se të bjerë të flejë, është mirë që ta bëjë nijetin të zgjohet natën për t’u falur. Nijeti i tij duhet të jetë i prerë dhe i vendosur, ndërsa për gjumin që e bën ta bëjë nijetin të forcohet për ibadet, që ta fitojë shpërblimin e gjumit dhe të namazit të natës.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Kush e ka zakon të zgjohet për namazin e natës, por e zë gjumi (ndonjë natë), Allahu ia shkruan atij shpërblimin e namazit (sikurse të kishte falur), kurse gjumi i tij i shkruhet lëmoshë.”[24]

    1. Për atë që zgjohet natën për t’u falur pëlqehet:

    – Të fërkojë me duar fytyrën që ta largojë gjumin.

    – T’i lexojë lutjet e zgjimit nga gjumi.

    – Ta përdorë misvakun.

    – T’i lexojë ajetet e fundit të sures Ali Imran: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët…” e deri në fund të sures (Ali Imran: 190-200).

    – Namazin ta hapë me faljen e dy rekateve të lehta, e pastaj të falet sa të dojë dhe pas faljes së çdo dy rekateve të japë selam.

    – Namazin ta përfundojë me faljen e vitrit. Falja e vitrit në fund të natës është më mirë.

    1. Sipas disa dijetarëve, namazi në të cilin qëndrohet më gjatë në këmbë, është më i mirë se namazi ku në të qëndrohet më gjatë në ruku dhe sexhde dhe numri i rekateve është më i madh. Për bazë e marrin hadithin: “Namazi më i mirë është ai namaz në të cilin qëndrohet gjatë në këmbë.”[25]

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, mendon se qëndrimi i gjatë në këmbë, në ruku dhe në sexhde në namaz është më i mirë se namazi që ka më shumë rekate, ruku dhe sexhde. Po ashtu, tha që sexhdja është më e mirë se qëndrimi në këmbë.[26]

    Ndoshta më afër së vërtetës është që kjo çështje varet nga gjendja e namazfalësit, andaj secili le të falet sipas ambicies dhe vitalitetit të tij, përuljes dhe kënaqësisë që e ndien në namaz, mundësisë dhe takatit që Allahu ia jep për namaz. Kush e zgjat qëndrimin në këmbë, le ta zgjasë rukunë dhe sexhden. Kush e shkurton qëndrimin në këmbë, le ta shkurtojë rukunë dhe sexhden. Kush i ndryshon mënyrat herë pas here dhe falet herë ashtu e herë ashtu, kjo është më e mirë.

    1. Nga rregullat e leximit të Kuranit në namazin e natës janë:

    Pëlqehet që Kuranin ta lexojë rrjedhshëm dhe ngadalë që kjo t’i ndihmojë në kuptimin dhe përsiatjen e tij, të kujdeset për rregullat e texhvidit dhe të leximit, ta zbukurojë zërin gjatë leximit, të mos e ngrejë zërin shumë e as të mos e ulë shumë, por niveli i zërit të jetë mesatar.

    Gjatë leximit të ndalet te kuptimi i ajeteve, t’i lexojë me përulje, t’i rrënqethet lëkura gjatë dëgjimit të tyre dhe t’i lotojnë sytë nga ndikimi i tyre në zemrën e tij.

    Gjatë leximit të ndalet tek ajetet dhe t’i meditojë; kur të kalojë tek ajeti ku përmendet lavdërimi i Allahut, pëlqehet të thotë subhanallah, kur të kalojë tek ajeti ku përmendet mëshira, pëlqehet të ndalet dhe ta kërkojë mirësinë nga Allahu. Kur të kalojë tek ajeti ku kërkohet mbrojtje ose tek ajeti ku përmendet ndëshkimi i Allahut, pëlqehet të kërkojë mbrojtjen e Allahut. Tek ajetet ku përmenden begatitë e Allahut dhe Xheneti, pëlqehet t’i kërkojë ato nga Allahu, ndërsa tek ajetet e ndëshkimit dhe zjarrit, pëlqehet të kërkojë mbrojtjen e Allahut nga zjarri i Xhehenemit.

    Nuk ka pengesë për besimtarin i cili nuk është hafëz që të lexojë nga mus’hafi në namaz.

    1. Pëlqehet, për atë që zgjohet për t’u falur natën, ta zgjojë gruan e vet për namaz dhe, po ashtu, gruaja ta zgjojë burrin e saj për namaz e, nëse jo për namaz nate, burri le ta zgjojë gruan për ta falur vitrin.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Allahu e mëshiroftë burrin që ngrihet natën për t’u falur, pastaj e zgjon gruan e vet dhe ajo falet e, nëse ajo refuzon të ngrihet, e stërpik me ujë në fytyrë. Allahu e mëshiroftë gruan që ngrihet natën për t’u falur, pastaj e zgjon burrin e saj dhe ai falet e, nëse ai refuzon të ngrihet, e stërpik me ujë në fytyrë.”[27]

    Me një hadith tjetër: “Kush ngrihet natën për namaz dhe e zgjon gruan e vet, i falin nga dy rekate, të dy shkruhen nga ata dhe ato që shumë e përmendin Allahun.”[28]

    Aisha i përcjell që Pejgamberi ﷺ falej natën, pasi e falte vitrin, më zgjonte nga gjumi dhe më thoshte: “Zgjohu Aishe dhe fale vitrin.”[29]

    1. Nuk ka pengesë nganjëherë që namazi i natës të falet me xhemat jashtë Ramazanit. Pejgamberi ﷺ e fali një herë bashkë me Ibën Abasin, e një herë me Ibën Mesudin, e një herë tjetër me Hudhejfen, në shtëpinë e vet. Megjithatë namazin e natës me xhemat nuk e veproi vazhdimisht, por herë pas here, si dhe nuk e falte në xhami, prandaj nuk llogaritet që është sunet i vazhdueshëm, por, nëse falet ndonjëherë, nuk është problem.[30]
    2. Kush ndien që i flihet në namaz, le (të dalë nga namazi) të shtrihet që të flejë derisa t’i largohet gjumi.

    Pejgamberi ﷺ tha: “Kur ndonjëri nga ju është duke u falur dhe atij i flihet, le (të dalë nga namazi) të shtrihet që të flejë derisa t’i largohet gjumi, sepse, nëse ndonjëri nga ju falet i përgjumur, në vend se të kërkojë falje për veten e tij, ndodh që të lutet kundër vetes së tij.”[31]

    Me një hadith tjetër: “Kush ngrihet natën për namaz, (dhe për shkak që i flihet) lexon Kuran me paqartësi dhe nuk e di se çfarë lexon, le të shtrihet që të flejë.”[32]

    Me një hadith tjetër: “Kur të jeni aktivë, faluni, kurse, kur të ndieni plogështi dhe lodhje, pushoni.”[33]

    1. Pëlqehet të shpeshtohen lutjet dhe istigfari (kërkimfalja) gjatë tërë natës e, në veçanti, në pjesën e tretë të natës, ndërsa koha më e mirë për istigfar është në agim.

    Allahu thotë: “…dhe që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.” (Ali Imran: 17)

    Dhe thotë: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18)

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Natën është një kohë, nëse myslimani ia qëllon dhe e lut Allahun në këtë kohë për mirësi nga çështja e dynjasë dhe e ahiretit, vetëm se do t’i jepet atij. Kjo kohë është për çdo natë.”[34]

    Me një hadith tjetër: “Zbret Allahu i Madhërishëm për çdo natë në qiellin e dynjasë kur mbetet një e treta e fundit prej saj dhe thotë: “Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush kërkon prej Meje që t’i jap? Kush kërkon falje që ta fal atë?”[35]

    1. Për atë që dëshiron të zgjohet për t’u falur, pëlqehet që kjo vepër e tij të jetë e vazhdueshme dhe pa ndërprerje. Ai duhet t’i mendojë dhe krahasojë mirë rrethanat e tij që ta shohë se sa mund të falet gjatë natës, kështu që namazi i tij të jetë i vazhdueshëm dhe mos ta braktisë më asnjëherë deri në fund të jetës së tij, përveç në raste domosdoshmërie. Bile, kur është me takat më të fortë, të shtojë më shumë, kurse, kur është me angazhime, të pakësojë nga namazi. Nëse i ikën namazi i natës, preferohet që ta kompensojë.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Veproni sa të mundeni, sepse Allahu nuk lodhet (duke ju shpërblyer) derisa ju nuk lodheni dhe mërziteni (të punoni). Vepra më e dashur tek Allahu është ajo që nuk ndalet, edhe nëse është e vogël.”[36]

    Aisha i përcjell që Pejgamberi ﷺ kur e bënte një vepër të mirë, e përforconte atë (nuk e braktiste atë). Nëse nuk zgjohej natën ose sëmurej, namazin e natës e kompensonte gjatë ditës me faljen e dymbëdhjetë rekateve.”[37]

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Atë që e zë gjumi dhe nuk zgjohet për ta lexuar pjesën e caktuar të Kuranit (që e lexon rregullisht), ose një pjesë të tij, pastaj atë e lexon në mes namazit të sabahut dhe namazit të drekës, i shkruhet atij sikurse ta ketë lexuar natën.”[38]

    Pejgamberi ﷺ e porositi Abdullah ibën Amru h dhe i tha: “O Abdullah, mos u bëj si filani i cili ngrihej natën e pastaj e braktisi namazin e natës.”[39]

    1. Nga shkaqet që ndihmojnë të zgjohemi natën për namaz janë: nijeti dhe vendosmëria e prerë, gjumi i hershëm, mosteprimi me ushqim para gjumit, moslodhja e tepërt me punë të rënda të padobishme gjatë ditës, bërja gjumë pas namazit të drekës (kajlule), respektimi i etikës së gjumit, si: marrja e abdesit para gjumit, bërja e lutjeve të gjumit, rikujtimi i vlerës së namazit të natës dhe i atyre që falen natën për pozitën që e fitojnë tek Allahu, rikujtimi i armiqësisë së shejtanit kundrejt njeriut dhe përpjekja e tij që ta pengojë njeriun të zgjohet për namaz nate, leximi i historisë së lavdishme të të parëve tanë të ndershëm dhe njerëzve të mirë që e kishin në raport me namazin e natës.
    2. Namazi i teravive, në fakt, është namazi i natës në Ramazan. Është quajtur me këtë emër ‘teravi’ (fjalë arabe që d.m.th. pushim, rehati), sepse kur u grumbulluan herën e parë për ta falur në kohën e Omerit h pushonin disa çaste pas çdo dy rekateve, ose pas katër rekateve, për shkak se e zgjatnin namazin dhe lexonin gjatë Kuran në namaz.
    3. Namazi i teravive është sunet, e veproi Pejgamberi ﷺ e vepruan sahabët, dhe pas tyre këtë traditë e vazhdoi umeti brez pas brezi.
    4. Shpërblimi për faljen e namazit të teravive është i madh dhe është shkak për faljen e gjynaheve. Vlera e tij vërtetohet edhe më shumë në dhjetëshin e fundit ku preferohet të falet që të kërkohet Nata e Kadrit.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Kush i fal teravitë me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[40]

    Me një hadith tjetër: “Kush ngrihet natën e Kadrit me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[41]

    “Me besim” d.m.th. me bindje të plotë që kjo është e vërtetë dhe adhurim dhe se Allahu është Ai që e bëri të ligjshëm agjërimin dhe namazin e natës dhe nxiti për në ta.

    “Llogarit në shpërblimin e Allahut” d.m.th. e kërkon shpërblimin nga Allahu, prandaj me vullnet agjëron dhe falet natën dhe e shpreson shpërblimin e Allahut, me shpirtmirësi dhe kënaqësi në shpirt, nuk e llogarit të rëndë dhe të mundimshëm agjërimin dhe namazin e tij dhe ato i kryen me sinqeritet vetëm për Allahun.

    1. Ata që shkojnë në umre gjatë Ramazanit, është mirë të përkujdesen që mos t’u ikën namazi i natës dhe namazi i teravive në Qabe dhe në xhaminë e Pejgamberit ﷺ në Medine. Falja e namazit në këto dy xhami është e shumëfishuar.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Falja e namazit në xhaminë time është më e vlefshme se një mijë namaze në xhamitë e tjera, përveç namazit në Qabe. Falja e namazit në Qabe është më e vlefshme se njëqind mijë namaze në xhamitë e tjera.”[42]

    1. Dijetari Ibën Rexheb, Allahu e mëshiroftë, tha: “Në muajin Ramazan besimtari ballafaqohet me dy lloje të xhihadit (përpjekjes): xhihadit gjatë ditës me agjërim dhe xhihadit gjatë natës me namaz nate.

    Ai që i bashkon këto dy lloje të xhihadit (përpjekjes), ua jep hakun dhe bën durim në to, e merr shpërblimin e tij pa masë.”[43]

    1. Teravitë lejohet të falen në shtëpi, sepse janë sunet. Po ashtu, lejohet të falen në xhami dhe falja e tyre me xhemat është më e vlefshme. Në këtë mënyrë myslimani e ndjek rrugën e Pejgamberit ﷺ dhe të sahabëve.
    2. Namazi i gruas në shtëpi është më i vlefshëm se namazi i saj në xhami, qoftë sunet apo farz, teravi apo ndonjë namaz tjetër. Mirëpo, nuk ka pengesë që ajo të shkojë në xhami me lejen e burrit të saj, me kusht që të mos dalë e zbukuruar dhe e parfumosur, të ketë siguri dhe të jetë e mbrojtur nga fitnetë.
    3. Grave u lejohet që të tubohen në një shtëpi për t’i falur teravitë. Njëra nga to del imam dhe u paraprin në namaz, ajo qëndron në mes të safit dhe nuk del përpara sikurse del imami te burrat. E ngre zërin në namaz sikurse e ngrenë zërin burrat në namazet me zë, por, me kusht që zëri i saj të mos dëgjohet nga burrat, përveç nëse janë mahremat e saj.
    4. Falja e njëmbëdhjetë rekateve në namazin e teravive është më e mirë. Kështu vepronte Pejgamberi ﷺ, por nuk ka pengesë që numri i tyre të shtohet. Çështja është e gjerë dhe ka hapësirë të veprohet.
    5. Ajo që e veprojnë disa imamë në namazin e teravive, duke u falur shumë shpejt, është e kundërta e asaj që e kërkon sheriati.

    Nëse namazit i mungon qetësia dhe rehatia, rukuja dhe sexhdja kanë mangësi, atëherë namazi nuk pranohet.

    1. Ai që teravitë i fal në xhami, për të më e vlefshme është që t’i përfundojë bashkë me imamin dhe t’i shkruhet si të jetë falur tërë natën.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Kush i fal teravitë me imam derisa t’i përfundojë, i shkruhet atij si të jetë falur tërë natën.”[44]

    Nëse imamët ndërrohen në një xhami, njëri i fal disa rekate pastaj tjetri i vazhdon të tjerat, llogaritet si t’i kishte falur një imam.

    1. Pëlqehet që në fillim të çdo dy rekateve të teravive të lexohet duaja e hapjes së namazit[45], sepse çdo dy rekate janë namaz në vete dhe nuk lidhen me rekatet që falen para tyre. Lutja është e njëjtë, nuk dallon si në farz ashtu edhe në sunet.
    2. Nuk ka pengesë që imami të lexojë nga mus’hafi në namazin e teravive kurse, nëse dikush nga xhemati e përcjell imamin me mus’hafin në dorë, pa nevojë, më e mirë është të mos e bëjë këtë, sepse kjo i bëhet pengesë që të arrijë përuljen dhe t’i veprojë disa sunete të namazit.
    3. Nuk ka pengesë që të ketë më shumë se një imam dhe ata të ndërrohen, qoftë në Harem (Qabe) apo në xhamitë e tjera. Namazfalësi duhet t’u lidhet imamëve në namaz deri në fund, edhe pse ata ndërrohen në mes vete. Kur imamët janë më shumë në numër dhe ndërrohen për teravi, llogariten si të ishin një imam.[46]
    4. Kush dëshiron që vitrin ta falë në pjesën e fundit të natës, kur t’i falë teravitë me imamin, e bën nijetin që kur imami ta falë vitrin dhe të japë selam, të ngrihet vetë dhe ta falë edhe një rekat që numri i rekateve të jetë çift. Do të thotë që nuk e fal vitrin me imamin, por e fal atë vetë në pjesën e fundit të natës (edhe pse më e mira është që ta përfundojë namazin me imamin deri në fund).
    5. Ai që i fal teravitë dhe vitrin me imam, pastaj natën dëshiron që t’i falë edhe disa rekate shtesë, nuk është problem, mund të falet sa të dojë, nga dy rekate dhe vitrin nuk e përsërit.
    6. Kujt i ikën namazi i jacisë me xhemat, ndërkohë imami ka nisur t’i falë teravitë, i lejohet që t’i lidhet imamit me nijetin e jacisë. Kur imami jep selam pas dy rekateve, ai ngrihet i plotëson edhe dy rekate të tjera.
    7. Kujt i ikën namazi i teravive me xhemat, i lejohet t’i falë individualisht apo me xhemat tjetër.
    8. Falja e teravive në Qabe me imam është më e vlefshme sesa të bëhet tavaf vullnetar rreth Qabes në kohën e teravive; namazi i teravive e ka kohën e përkufizuar, me përfundimin e kohës përfundon edhe e falja e tyre, kurse tavafi mund të bëhet në çdo kohë.
    9. Kush është duke e bërë tavafin rreth Qabesë dhe në atë kohë fillojnë teravitë, le ta përfundojë tavafin, sepse teravitë janë sunet; në krahasim me namazin farz, ku domosdo duhet të ndërpritet tavafi dhe të falet namazi e, pas faljes së namazit, vazhdohet me tavafin aty ku është ndërprerë.
    10. Pëlqehet bërja e duasë së kunutit në namazin e vitrit. Imami dhe xhemati ligjërohet t’i ngrenë duart në lutjen e kunutit dhe t’i luten Allahut.
    11. Nuk ka ndalesë që të bëhet dua në teravi me rastin e përfundimit të hatmes së Kuranit. Në këtë rast imami e bën duanë në vitër, ndërsa xhemati e përcjell atë duke thënë amin (o Zot, pranoje lutjen). Shumë nga të parët tanë të mirë përcillet që e kanë vepruar këtë.
    12. Falja e teravive fillon natën e parë të Ramazanit, me pamjen e hënës së re, pra nata që i paraprin ditës së parë të Ramazanit.
    13. Natën e Bajramit nuk falet namazi i teravive, sepse teravitë ligjërohen në Ramazan e, kur të vërtetohet që muaji ka përfunduar, teravitë nuk falen. Ndërsa, ai që e ka pasur traditë të falë namaz nate jashtë Ramazanit, mund të falë namaz nate individualisht në shtëpinë e vet.
    14. Nuk lejohet që nata e Bajramit kundrejt netëve të tjera të veçohet me namaz nate, përveç atij që e ka pasur traditë të falë namaz nate jashtë Ramazanit, ai mund të ngrihet natën e Bajramit për t’u falur.

    Kurse hadithet që kanë ardhur për ngjalljen e natës së Bajramit me ibadet, nuk janë të vërteta dhe nuk mund të merren si argument.

    E lusim Allahun që të na e pranojë agjërimin, teravitë, leximin e Kuranit dhe të na ndihmojë në ibadetin ndaj Tij dhe të na bëjë nga fitimtarët e Ramazanit! Amin!

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Pjesë e librit : “Udhërrëfyes për muajin e Ramazanit”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

    [1] Kijamul lejl dhe Et-Tehexhud janë fjalë arabe që për qëllim e kanë namazin e natës. (sh. p)

    [2] Shih: Lisanul Arab, Ibën Mendhur (3/432), El-Mexhmua, imam Neveviu (4/43).

    [3] Muslimi (1163).

    [4] Tirmidhiu (2527), shejh Albani hadithin e vlerësoi të mirë.

    [5] Tirmidhiu (2485), Ibën Maxhe (1234), shejh Albani e saktësoi në Es-Sahiha (569).

    [6] Sahih El-Buharij (1121), Muslimi (2479).

    [7] Sherh Sahih El-Buharij, Ibën Batali (3/111), Et-Teudih li sherh El-Xhami’ Es-Sahih, Ibën El-Mulekkin (9/27), Fet’hul Barij, Ibën Haxheri (3/6).

    [8] Hakimi (1/451), në zinxhirin e tij ka dobësi, shejh Albani e vlerësoi të mirë në El-Irva (452).

    [9] Ibën Hibani (2557), Ebu Davud (2536) Xhumletul Gazij, shejh Albani e vlerësoi të mirë në Talikat El-Hisan.

    [10] Mustedrek El-Hakim (2/448), Ed-Dur El-Menthur, Sujutij (11/696).

    [11] Hadij El-Ervah ila biladil Efrah (fq. 278).

    [12] Hakimi (1/451), në zinxhirin e tij ka dobësi, shejh Albani e vlerësoi të mirë në Sahih El-Xhami’ (73).

    [13] Ebu Davudi (1398), shejh Albani e saktësoi.

    [14] Muslimi (102).

    [15] Buhariu (7529), Muslimi (815).

    [16] Shih: Sherh En-Nevevij ala sahih Muslim (6/97).

    [17]  Buhariu (4836), Muslimi (2819).

    [18] Buhariu (1155).

    [19] Tirmidhiu (3579), Nesaiu (572), hadithi është në Sahih El-Xhami’ (1173).

    [20] Buhariu (1131), Muslimi (1159).

    [21] Buhariu (1145), Muslimi (758).

    [22] Buhariu (990), Muslimi (749).

    [23] Buhariu (1147), Muslimi (738).

    [24] Nesaiu (1784), shejh Albani e saktësoi.

    [25] Muslimi (756).

    [26] Shih: Mexhmual Fetava (23/69, 71).

    [27] Ebu Davudi (1308), Nesaiu (1601), Ibën Maxhe (1336), shejh Albani e saktësoi.

    [28] Ebu Davudi (1451), Ibën Maxhe (1335), shejh Albani e saktësoi.

    [29] Buhariu (512), Muslimi (744).

    [30] Esh-Sherh El-Mumti’, Ibën Uthejmin (4/60).

    [31] Buhariu (212), Muslimi (786).

    [32] Muslimi (787).

    [33] Buhariu (1150), Muslimi (784).

    [34] Muslimi (757).

    [35] Buhariu (1145), Muslimi (758).

    [36] Buhariu (5862), Muslimi (782).

    [37] Muslimi (746).

    [38] Muslimi (747).

    [39] Buhariu (1152), Muslimi (1159).

    [40] Buhariu (37), Muslimi (760).

    [41] Buhariu (2014), Muslimi (760).

    [42] Imam Ahmedi (14847), shejh Albani e saktësoi në El-Irva (971).

    [43] Letaif El-Mearif (fq. 171).

    [44] Ebu Davudi (1375), Tirmidhiu (806), Nesaiu (1364), Ibën Maxhe (1327), shejh Albani e saktësoi.

    [45] D.m.th. teravitë nëse i fal nga dy rekate, në fillim të çdo dy rekateve pëlqehet ta fillosh me ‘Subhaneke Allahume…’, pra, lutja e njohur që e bëjmë në fillim të namazit. (sh.p.)

    [46] Fetava Ibën Uthejmin (14/190).

  • VEPRA TË MIRA NË RAMAZAN

    VEPRA TË MIRA NË RAMAZAN

    1. Namazi farz (i detyruar).
    2. Agjërimi i Ramazanit.
    3. Namazi i teravive.
    4. Përshpejtimi i iftarit.
    5. Vonimi i syfyrit.
    6. Shqiptimi i fjalës: “Subhane Melikil-Kuddus (I Lartësuar qoftë Allahu, Sunduesi, i Shenjti dhe i Pastri nga çdo e metë)”; tri herë pas namazit të vitrit (pasi të jepet selam).
    7. Falja e suneteve revatib (të rregullta që falen para dhe pas farzit).
    8. Falja e namazit të duhasë.
    9. Dhënia e sadakasë.
    10. Tehlili – shqiptimi i fjalës la ilahe il-lallah (nuk i takon askujt adhurimi me të drejtë, përveç Allahut).
    11. Tesbihi – shqiptimi i fjalës subhanallah (i Lartësuar qoftë Allahu).
    12. Tehmidi – shqiptimi i fjalës elhamdulilah (Falënderimi i takon Allahut).
    13. Tekbiri – shqiptimi i fjalës Allahu ekber (Allahu është më i Madhi).
    14. Shqiptimi i fjalës “la haule ue la kuvete il-la bilah” (nuk ka ndryshim e as forcë pa lejen dhe ndihmën e Allahut).
    15. Përsëritja e fjalëve të myezinit gjatë thirrjes së ezanit.
    16. Istigfari (kërkimfalja).
    17. Duaja.
    18. Dërgimi i salavateve për Muhamedin ﷺ.
    19. Leximi i Kuranit.
    20. Meditimi dhe përsiatja e Kuranit.
    21. Nxënia përmendsh e Kuranit.
    22. Mësimi i Kuranit së bashku me dikë tjetër.
    23. Leximi i komentit të Kuranit.
    24. T’ua mësosh Kuranin të tjerëve e, në veçanti, fëmijëve suren El-Fatiha.
    25. Pendimi dhe kthimi kah Allahu.
    26. Respektimi i prindërve.
    27. Respektimi i lidhjeve farefisnore.
    28. Mbajtja e lidhjeve me shokët e prindërve.
    29. Fisnikërimi i mysafirit.
    30. Përcjellja e mysafirit.
    31. Sjellja e mirë me fqinjët.
    32. Përhapja e selamit.
    33. Ofrimi i ushqimit.
    34. Fjala e mirë.
    35. Shqiptimi i dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes.
    36. Shqiptimi i dhikrit që thuhet nëpër situata dhe gjendje të ndryshme.
    37. Fjetja me abdes.
    38. Guslli i xhumasë.
    39. Parfumosja për xhuma.
    40. Nisja më herët për në xhami për namazin e xhumasë.
    41. Afrimi afër imamit.
    42. Plotësimi i vendeve të zbrazëta.
    43. Plotësimi dhe rregullimi i safave.
    44. Buzëqeshja.
    45. Meditimi në shenjat e Allahut në kozmos.
    46. Përballimi i dhembjeve që t’i shkaktojnë myslimanët dhe durimi me ta.
    47. Sjellja e mirë me njerëzit.
    48. Butësia dhe mosnxitimi.
    49. Fytyrëqeshja.
    50. Përmbajtja e zemërimit dhe e hidhërimit.
    51. Realizimi i premtimit.
    52. Falja e namazit të pendimit (teubes).[1]
    53. Falja e dy rekateve pas marrjes së abdesit.
    54. Këshilla dhe udhëzimi.
    55. Mësimi i të paditurit.
    56. Thirrja në të mirë.
    57. Ndalimi nga e keqja.
    58. Ndihma dhe mbështetja ndaj atij që i është bërë padrejtësi.
    59. Ulja e shikimit.
    60. Vizita e vëllezërve myslimanë për hir të Allahut.
    61. Prezentimi në xhenaze (falja e namazit të të vdekurit dhe përcjellja e xhenazes).
    62. Ngushëllimi i familjes së të vdekurit.
    63. Vizita e të sëmurëve.
    64. Përgjigjja e ftesës së ftuesit.
    65. Ngushëllimi i të pikëlluarit.
    66. Pritja e namazit pas namazit.
    67. Prezentimi në mexhliset e dijes nëpër xhamia.
    68. Respektimi i dijetarëve.
    69. Kundërshtimi i dyshimeve.
    70. Përhapja e sunetit të Profetit ﷺ.
    71. Dhënia e dhuratave.
    72. Përshëndetja e myslimanit për dore, duke kërkuar me të Fytyrën e Allahut.
    73. Respektimi i të moshuarve.
    74. Larja e borxhit.
    75. Dhënia borxh nevojtarit.
    76. Shtyrja e afatit të kthimit të borxhit atij që ka vështirësi ta kthejë.
    77. Falja e borxhit ose lehtësimi i tij.
    78. Nxitimi në larjen e borxhit të atyre që nuk kanë mundësi t’i kthejnë borxhet, si dhe larja e faturave të nevojtarëve.
    79. Ndërmjetësimi i drejtë dhe i mirë.
    80. Lehtësimi duke ia kthyer mallin e blerë atij që e blen një mall dhe më pas dëshiron ta kthejë.
    81. Largimi i pengesave në rrugë.
    82. Toleranca në shitje dhe në blerje.
    83. Mbulimi i të metave të myslimanëve.
    84. Përkujdesja për jetimin.
    85. Përkujdesja për gratë e veja.
    86. Ndërtimi i xhamive.
    87. Udhëzimi për në hair dhe mirësi.
    88. Botimi i librave.
    89. Përhapja e dijes së dobishme nëpër rrjete sociale dhe faqe interneti.
    90. Mësimi i tjetrit dhe dëgjimi i këshillave.
    91. Ndihma dhe lehtësimi i tjetrit për t’u martuar.
    92. Paqësimi në mes dy të armiqësuarve.
    93. Shoqërimi i njerëzve të mirë.
    94. Lënia e vakëfit.
    95. Kryerja e umresë.
    96. Dashuria për hir të Allahut.
    97. Falja.
    98. T’i ndihmosh një zanatçiu ose t’ia mësosh një zanat një të padituri (i paditur e ka për qëllim atë që nuk ka asnjë zanat që nga ai zanat të përfitojë), ta ushtrosh pa të holla ose t’ia mësosh punën.
    99. Futja e gëzimit në shpirtin e tjetrit.
    100. Furnizimi i të varfërve dhe të ngratëve me ushqim.
    101. Fërkimi i kokës së jetimit.
    102. Përkujdesja për abdesin.
    103. Kujdesi për vajzat dhe motrat.
    104. Shpenzimi për gruan dhe fëmijët.
    105. Respektimi i burrit dhe nderimi i tij.
    106. Përkujdesja për shtëpinë.
    107. Pastrimi i xhamive.
    108. T’u shërbesh ujë njerëzve.
    109. Mirënjohja dhe falënderimi i tjetrit për bamirësinë e bërë ndaj teje.
    110. Shpërblimi i atij që të ka bërë mirë dhe lutja për të.
    111. Të qarët nga frika e Allahut.
    112. Të kërkosh nga Allahu që të biesh dëshmor.
    113. Ulja bashkërisht për të ngrënë.
    114. Veshja e rrobave me ngjyrë të bardhë.
    115. Ngjyrosja e flokëve të thinjura (përveç ngjyrës së zezë, e cila nuk lejohet).
    116. Mbjellja e një peme me nijet të mirë.
    117. Kryerja e nevojave të myslimanëve.
    118. Kërkimfalja për myslimanët dhe myslimanet.
    119. Ruajtja e nderit të gruas.
    120. Llogaritja në shpërblimin e Allahut për bërjen e rukjes.
    121. Larja e xhenazes dhe qefinosja e saj, duke llogaritur në shpërblimin e Allahut.
    122. Përgëzimi i myslimanit për ndonjë begati.
    123. Të shkruarit e vasietit (testamentit) me të drejtë.
    124. Veshmbathja e myslimanit.
    125. Mbathja e këpucëve duke filluar me këmbën e djathtë.
    126. Zbathja e këpucëve duke filluar me të majtën.
    127. Pirja e ujit ulur.
    128. Rikujtimi i shehadetit (fjalës la ilahe il-lallah) atij që është në prag të vdekjes.
    129. Fillimi i çdo pune të hairit me emrin e Allahut (me Bismilah).
    130. Përkujdesja për ta përdorur misvakun.
    131. T’ia kthesh borxhin atij që ia ke pasur borxh dhe ta shpërblesh për bamirësinë ndaj teje.[2]
    132. Falja e namazit të istihares.
    133. Sexhdja e falënderimit.
    134. Ndryshimi i betimit për ndonjë dobi sheriatike duke e shpaguar atë.
    135. Ndihma ndaj anëtarëve të familjes në shtëpi.
    136. Ecja për në xhami.
    137. Marrja e sutres për namaz.
    138. Zbukurimi i zërit gjatë leximit të Kuranit.
    139. Kërkimi i lejes për të hyrë brenda.
    140. Vendosja e dorës mbi gojë kur ndonjërit i hapet goja.
    141. Qëndrimi në xhami pas faljes së namazit të sabahut e deri në lindjen e diellit.
    142. Urdhërimi i familjes dhe i fëmijëve për ta falur namazin.
    143. Falja e dy rekateve kur të hysh në shtëpi dhe dy rekate para se të dalësh nga shtëpia.
    144. Fërkimi i fytyrës me dorë kur të ngrihemi nga gjumi për namaz nate dhe leximi i ajeteve të fundit të sures Ali Imran.
    145. Plotësimi i abdesit.
    146. Thënia e fjalës “Jerhamukallah” (Allahu të mëshiroftë) kur tjetri teshtin dhe thotë “Elhamdulilah” (Falënderimi i takon Allahut).
    147. Udhëzimi i nevojtarit duke ia treguar mënyrën se si të arrijë deri tek ajo që e kërkon.
    148. Fjetja me abdes.
    149. Shoqërimi i të vetmuarit (atij që ka telashe).
    150. Strehimi i të huajit.
    151. Parfumosja e xhamive.
    152. Shpërndarja dhe radhitja e mus’hafave nëpër xhami.
    153. Përhapja e dijes nëpër faqe interneti, kanale televizive, satelitore dhe radio.
    154. Mbajtja e mësimeve, e ligjëratave dhe e seminareve shkencore.
    155. Huazimi i rrobave, arit për zbukurim, enëve apo mjeteve elektronike dhe çdo gjëje të dobishme.
    156. Formimi dhe ngritja e shoqatave dhe e organizatave bamirëse.
    157. Shpenzimi për kërkuesit e dijes dhe përkujdesja për ta.
    158. Përgatitja e librave dhe e programeve për fëmijët e myslimanëve.
    159. Përcjellja e dijes me amanet: “Allahu ia ndriçoftë fytyrën atij që e dëgjon thënien time, e kupton atë dhe e mëson përmendsh dhe ua përcjell të tjerëve.”[3]
    160. Mbrojta e nderit të myslimanëve.
    161. Dëgjimi i Kuranit.
    162. Dhënia e shpërblimeve dhe nxitja e njerëzve për marrje të dijes dhe mirësi.
    163. Butësia dhe sjellja e mirë me fëmijët.
    164. Rikujtimi i të tjerëve në lidhje me afrimin e rasteve apo kohëve të hairit.
    165. Ruajtja e amaneteve dhe kthimi i tyre.
    166. Kurimi i të sëmurëve duke llogaritur në shpërblimin e Allahut.
    167. Bamirësia ndaj kafshëve dhe zogjve.
    168. Përpjekja në adhurime në dhjetëshin e fundit të Ramazanit.
    169. Ngritja e familjes nga gjumi natën për namaz nate.
    170. Qëndrimi në itikaf.
    171. Kërkimi i natës së Kadrit (në dhjetëshin e fundit).
    172. Përpjekja në adhurime në natën e Kadrit.
    173. Lutja e Allahut për falje në këtë natë dhe shpeshtimi i lutjes: “O Allahu im! Ti je Falës, e do faljen, andaj më fal mua.”[4]

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Pjesë e librit : “Udhërrëfyes për muajin e Ramazanit”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

    [1] Namazi i pendimit është i ligjshëm dhe ka ardhur në sunet. Ebu Bekër Es-Sidiku h përcjell se Profeti ﷺ tha: “Nuk ka rob që bën mëkat dhe më pas merr abdes si është më mirë dhe i fal dy rekate dhe kërkon falje nga Allahu, vetëm se Allahu t’ia falë atij. Më pas e lexoi ajetin: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Ali Imran: 153). Hadithin e shënon Ebu Davudi (1521), shejh Albani e vlerësoi të saktë në Sahih Ebu Davud. Për më tepër shih: https://islamqa.info/ar/98030 (sh.p.)

    [2] D.m.th. ia kthen borxhin dhe i jep diçka si dhuratë për bamirësinë ndaj teje, ndërsa, nëse ai që të jep borxh, të kushtëzon që t’ia kthesh borxhin më tepër sesa t’i ka dhënë, kjo është kamatë dhe është e ndaluar, kurse, nëse borxhliu nga vetja dëshiron ta shpërblejë pasi t’ia kthejë borxhin në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për bamirësinë ndaj tij, kjo lejohet. (sh.p).

    [3] Hadith të cilin e përcjell Abdullah ibën Mesudi h dhe e shënojnë imam Tirmidhiu, Ibën Maxhe, Ahmedi, Ibën Hibani dhe të tjerët. (sh.p).

    [4] Shënon imam Tirmidhiu (3850), shejh Albani e saktësoi në Sahih Et-Tirmidhij (3/170). (sh.p)

  • SI TA SHFRYTËZOJMË MUAJIN E RAMAZANIT?

    SI TA SHFRYTËZOJMË MUAJIN E RAMAZANIT?

    1. Na bëri hije sezona e mirësive dhe na erdhën ditët e dhuntive, mëshirës, bekimeve, pranimit të lutjeve, mbarësisë dhe shumëfishimit të të mirave, pra na erdhi Ramazani, muaji i faljes së gjynaheve dhe i lirimit nga zjarri i Xhehenemit.

    Allahu thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (El-Bekare: 185)

    Dhe thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El-Bekare: 183)

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kur të vijë muaji Ramazan, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët.”[1]

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër, janë shlyese të mëkateve të bëra në mes tyre, për ata që nuk kanë bërë mëkate të mëdha.”[2]

    Dhe thotë, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush e agjëron muajin Ramazan me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme. Kush ngritet natën e Kadrit me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[3]

    Me një transmetim tjetër: “Kush falet (namazin e teravive) me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[4]

    “Me besim” d.m.th. me bindje të plotë që kjo është e vërtetë dhe adhurim, dhe se Allahu është Ai që e bëri të ligjshëm agjërimin dhe namazin e natës dhe nxiti për në ta.

    “Llogarit në shpërblimin e Allahut” d.m.th. e kërkon shpërblimin nga Allahu, prandaj me vullnet agjëron dhe falet natën dhe e shpreson shpërblimin e Allahut, me shpirtmirësi dhe kënaqësi në shpirt, nuk e llogarit të rëndë dhe të mundimshëm agjërimin dhe namazin e tij, dhe ato i kryen me sinqeritet vetëm për Allahun.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kur vjen nata e parë e Ramazanit, prangosen shejtanët dhe të pabindurit nga xhindët, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe nuk hapet asnjë derë e tij, hapen dyert e Xhenetit dhe nuk mbyllet asnjë derë e tij, dhe një thirrës thërret: ‘O kërkues i së mirës vepro, o kërkues i së keqes freno.’ Për çdo natë Allahu liron robër nga zjarri i Xhehenemit.”[5]

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me një hadith tjetër thotë: “I nënçmuar qoftë ai që hyn në Ramazan dhe del prej tij pa iu falur mëkatet atij.”[6]

    1. Agjërimi është nga adhurimet e mëdha dhe të vlefshme që shpërblimet e tij shumëfishohen dhe sevapet e tij rriten. Allahu e veçoi për Veten dhe shpërblimi i agjërimit i takon vetëm Atij, ashtu siç erdhi në një hadith kudsij (të shenjtë) ku Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, përcjell: “Allahu thotë: ‘Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij, përveç agjërimit, ai më takon Mua dhe Unë shpërblej për të… pasha Atë në të cilin shpirti i Muhamedit është në Dorën e Tij, era që del nga goja e agjëruesit tek Allahu është më e mirë sesa era e miskut. Agjëruesi i ka dy gëzime: njërin kur çel iftar dhe tjetrin kur e takon Zotin me agjërimin e tij’.

    Në një transmetim tjetër që e shënon imam Muslimi: “Çdo vepër e birit të Ademit shumëfishohet, e mira shpërblehet me dhjetë dhe shumëfishohet deri në shtatëqind; dhe Allahu thotë: ‘Përveç agjërimit, Unë shpërblej për të, sepse robi Im e braktisi epshin dhe ushqimin e tij vetëm për hir Timin’.”[7]

    Ebu Umame, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se e pyeta Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të, cila vepër është më e vlefshme? U përgjigj: “Kapu për agjërimin, sepse nuk ka të barabartë me të.”[8]

    1. Ramazani është muaji i durimit, kurse durimi shpërblehet me Xhenet. Allahu u premtoi durimtarëve shpërblime të mëdha të pakufizuara, të papërcaktuara e pa masë dhe thotë: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.” (Ez-Zumer: 10)

    Allahu thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (El-Bekare:153). Komentuesi i njohur i Kuranit, Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë, thotë se fjala “durim” në ajet për qëllim e ka agjërimin[9], ashtu siç erdhi në hadith: “Agjërimi i muajit të durimit dhe tri ditëve nga çdo muaj (ditët e bardha) e largojnë urrejtjen dhe armiqësinë nga gjoksi”[10]. Pra, muaji i durimit është muaji Ramazan.

    “Sipas këtij mendimi të Muxhahidit, agjërimi dhe namazi në ajet erdhën proporcionalisht, ku agjërimi e largon agjëruesin nga epshet dhe ia shton asketizmin në dynja, kurse namazi e largon nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar si dhe në të lexohet Kurani, i cili ia rikujton ahiretin.”[11]

    Ramazani e përfshin edhe durimin edhe namazin bashkërisht, gjatë Ramazanit shpeshtohen namazi, duatë dhe lutjet drejt Allahut.

    1. Dijetari Ibën Rexheb, Allahu e mëshiroftë, tha: “Në muajin Ramazan besimtari ballafaqohet me dy lloje të xhihadit (përpjekjes): xhihadit gjatë ditës me agjërim dhe xhihadit gjatë natës me namaz nate.

    Ai që i bashkon këto dy lloje të xhihadit (përpjekjes), ua jep hakun dhe bën durim në to, e merr shpërblimin e tij pa masë.”[12]

    1. Namazi i teravive në Ramazan është nga namazi i natës dhe shpërblimi për faljen e teravive është i madh. Kufizimi i teravive në njëmbëdhjetë rekate është më i vlefshëm, sepse kështu vepronte Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, edhe pse nuk ka asnjë pengesë që numri i rekateve të shtohet. Çështja është e gjerë dhe, falënderimi i takon Allahut, që në të ka hapësirë veprimi.
    2. Kush i fal teravitë në xhami, më e mira është që t’i përfundojë teravitë së bashku me imamin dhe ta marrë shpërblimin sikurse të jetë falur natën. Falja e teravive me më shumë se një imam në një xhami, për xhematin llogaritet sikurse të jenë falur me një imam.
    3. Nga vlerat dhe mirësitë e agjërimit është se agjërimi ndërmjetëson për robin në ditën e Kiametit, ashtu siç erdhi në hadith: “Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për robin në ditën e Kiametit. Agjërimi thotë: ‘O Zot! Unë e pengova nga ushqimi dhe epshet gjatë ditës, mundësoma të ndërmjetësoj për të.’ Kurani thotë: ‘Unë e privova nga gjumi gjatë natës, mundësoma të ndërmjetësoj.’ Tha: ‘Edhe agjërimit edhe Kuranit u jepet leje që të ndërmjetësojnë’.”[13]
    4. Nga vlerat dhe mirësitë e agjërimit është të veçuarit e një dere të posaçme në Xhenet nëpër të cilën do të hyjnë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër përveç tyre, ashtu siç erdhi në hadith: “Vërtet në Xhenet është një derë e cila quhet Rejan, nëpër të cilën ditën e Kiametit do të hyjnë vetëm se agjëruesit dhe askush tjetër përveç tyre. Do të thirret nga ajo derë ku janë agjëruesit? Pasi të hyjnë ajo derë mbyllet dhe nuk do të mund të hyjë në të askush tjetër.”[14]
    5. Ramazani është muaji i edukimit në devotshmëri, madje devotshmëria është synimi më i madh i agjërimit, ashtu siç Allahu thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El-Bekare: 183)

    Me devotshmëri nënkuptojmë që robi të vendosë para vetes paramburojë, me zbatimin e urdhrave të Allahut dhe me largimin nga ndalesat që i ka ndaluar Allahu, e cila e mbron nga zemërimi, ndëshkimi dhe qortimi i Allahut.

    Robi nëpërmjet devotshmërisë e arrin shoqërimin e Allahut, dashurinë e Tij, përkrahjen e Tij, fisnikërinë e Tij, mbrojtjen e Tij dhe lehtësimin e çështjeve, faljen e gjynaheve dhe rritjen e shpërblimeve, e fiton Xhenetin dhe lumturinë e dynjasë dhe ahiretit.

    Agjërimi myslimanin e edukon dhe e vetëdijeson për mbikëqyrjen e Allahut dhe e mëson që në punën e tij ta synojë vetëm Fytyrën e Allahut si dhe ta frenojë veten nga haramet, ashtu siç erdhi në hadith: “Kush nuk e braktis fjalën e keqe dhe të punuarit me të, Allahu nuk ka nevojë që ai ta braktisë ushqimin dhe pijen e tij.”[15]

    Omer ibën El-Abdulaziz, Allahu e mëshiroftë, tha: “Frikërespekti ndaj Allahut nuk është në agjërimin gjatë ditës dhe në faljen e namazit gjatë natës dhe bërjen e mëkateve në mes të tyre, por frikërespekti ndaj Allahut është në braktisjen e asaj që Allahu e ndaloi dhe në veprimin e asaj që Allahu e detyroi. E kujt pas kësaj i jepet hairi, kjo është mirësi mbi mirësi.”[16]

    1. Agjërimi myslimanin e ndihmon ta frenojë veten, t’i ruajë gjymtyrët, ta thyejë pasionin dhe kënaqësinë, ia ngushton rrugët shejtanit të depërtojë tek ai me cytjet e tij, si dhe e ndihmon ta përmbajë zemërimin, t’i durojë dëmtimet e të tjerëve kundrejt tij, të pastrojë shpirtin nga e liga dhe nga morali i keq. Me një fjalë agjërimi është pastrim dhe pastërti për shpirtin.

    Ashtu siç Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Agjërimi është mburojë.[17] “Kur të agjërojë ndonjëri nga ju, le të mos flasë fjalë të ndyta dhe le të mos bërtasë. Nëse ndodh (eventualisht) që tjetri ta shajë apo ta sulmojë, atëherë le të thotë: Unë jam agjërueshëm.”[18]

    Agjërimi “në dynja është paramburojë nga mëkatet me thyerjen e pasionit dhe kënaqësisë dhe me ruajtjen e gjymtyrëve, kurse në ahiret mburojë nga zjarri i Xhehenemit, sepse ai e mposht epshin dhe e frenon kënaqësinë dhe pasionin, të cilat janë nga armatimi i shejtanit.”[19]

    Agjërimi “ka ndikim të mahnitshëm në ruajtjen e gjymtyrëve të jashtme dhe fuqisë së brendshme… Agjërimi e ruan shëndetin e zemrës dhe të gjymtyrëve dhe ua kthen atë që nga to e marrin epshi dhe pasionet. Agjërimi, pra qenka ndihmësi dhe përkrahësi më i madh për në devotshmëri.”[20]

    1. Kur agjëruesi ta realizojë devotshmërinë në zemër, pastaj ajo do të reflektojë në gjymtyrët e tij duke iu bindur urdhrave të Allahut, duke e ruajtur veten nga mëkati, duke qenë i kënaqur me caktimin e Allahut, duke qenë i durueshëm gjatë sprovave dhe duke qenë falënderues gjatë begative, dhe duke qenë i drejtë e i sinqertë në thënie dhe vepra.

    Xhabir ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Kur të agjërosh, le të agjërojë edhe dëgjimi, shikimi dhe gjuha jote nga gënjeshtra dhe nga mëkati. Mos e lëndo shërbëtorin dhe bëhu serioz e i qetë gjatë ditës kur agjëron, dhe mos e bëj ditën e agjërimit t’i ngjajë ditës që nuk agjëron në të.”[21]

    1. Ramazani është muaj i pendimit të sinqertë dhe i kthimit kah Allahu, duke i braktisur mëkatet dhe gjynahet, duke ndier keqardhje për bërjen e mëkateve të mëhershme, duke qenë të vendosur që në të ardhmen të mos iu kthehemi atyre si dhe duke ua kthyer padrejtësitë e bëra njerëzve (ato që ndërlidhen me të drejtat e njerëzve): “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që ta arrini shpëtimin!” (En-Nur: 31)

    Në Ramazan më veç lehtësohen mundësitë, për të penduarit hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit, prangosen shejtanët dhe thirrësi thërret: “O kërkues i së mirës vepro”; si dhe për fitimtarët hapet dera e lirimit nga zjarri i Xhehenemit.

    Në esencë, pendimi është i detyruar në çdo kohë dhe nga çdo mëkat, mirëpo në Ramazan është më se i kërkuar dhe më i detyruar, sepse Ramazani është sezonë e adhurimit, në të zbresin mëshira dhe bekimet, dhe Allahu e premtoi faljen e mëkateve dhe të gjynaheve.

    Kush nuk përfiton gjatë këtij muaji, kur do të përfitojë?! Kush nuk e arrin faljen e Allahut në këtë muaj, kur do ta arrijë?! Me të vërtetë i privuar realisht është ai që privohet nga mirësia e këtij muaji.

    1. Ramazani është muaji i Kuranit, i cili i tëri përnjëherë zbriti në Ramazan, në natën e Kadrit, nga libri amzë ‘Levhi Mahfudhi’ në qiellin e dynjasë i quajtur ‘Bejtul Izzeh’, ashtu siç Allahu thotë: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.” (El-Kadr: 1), dhe thotë: “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.” (Ed-Duhan: 3)

    Leximi i Kuranit në Ramazan është nga dukuritë e mëdha të përpjekjes në ibadet që duhet të shtohet gjatë natës dhe ditës. Xhibrili, alejhi selam, për çdo natë të Ramazanit ia lexonte Kuranin Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ashtu siç e përcjell Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte më bujari ndër njerëzit dhe bujaria e tij edhe më tepër shtohej në Ramazan pasi e takonte Xhibrilin për çdo natë dhe e lexonin bashkërisht Kuranin. Kjo e bënte Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të jetë më bujar në mirësi se era e lehtë e freskët.”[22]

    Muhamed ibën Shihab Ez-Zuhrij, Allahu e mëshiroftë, kur vinte Ramazani thoshte: “Ramazani është muaj i leximit të Kuranit dhe i dhënies së ushqimit.”[23]

    Andaj Ramazani është mundësi e madhe për t’iu kthyer sa më mirë Kuranit duke e lexuar, studiuar, medituar, mësuar dhe duke u edukuar me të.

    Përpjekje dhe vetëm përpjekje, ndoshta Allahu do të të shkruajë nga fitimtarët në Ramazan: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (El-Ankebut: 69)

    1. Të parët tanë të mirë e shpeshtonin leximin e Kuranit në Ramazan, në namaz dhe jashtë namazit, dhe kur hynte Ramazani e braktisnin çdo gjë tjetër dhe merreshin me ibadet.

    Ata shumë shpesh e bënin hatme Kuranin në Ramazan, disa e përfundonin për tri net, disa të tjerë për shtatë, e kishte nga ata që e përfundonin për çdo natë.[24]

    Kjo ishte shkaku i bereqetit që Allahu ua kishte dhënë në kohë si dhe, rol luante edhe sinqeriteti në nijetin e tyre dhe përkujdesja për kohën e tyre. S’ka dyshim që kjo dallon nga njeriu në njeri, sepse gjendjet, angazhimet dhe punët e tyre dallojnë te çdonjëri, kurse i suksesshëm dhe me fat është ai që atij Allahu i jep sukses.

    1. Fjalën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Kush e bën hatme Kuranin për më pak se tri ditë, nuk e kupton atë”[25], dijetarët thonë se për qëllim është nëse bëhet në vazhdimësi, kurse në kohë të vlefshme, sikurse muaji i Ramazanit e në veçanti dhjetë ditët e fundit, ose vende të vlefshme, sikurse në Meke për vizitorin dhe jo për vendasin e saj, pëlqehet shpeshtimi i leximit të Kuranit me qëllim që të shfrytëzohen koha apo vendi. Kjo është thënie e imam Ahmedit dhe Is’hak Er-Rahavejh dhe të tjerëve, si dhe këtë mendim e përforcon të vepruarit e të tjerëve kësisoji.[26]
    2. Dhikri (përmendja e Allahut) është jetë, pastrim dhe rehati për zemrën, e kënaq të Gjithëmëshirshmin, e largon shejtanin, i fshin gjynahet, dhe ata që bëjnë dhikër vazhdimisht do të jenë para të tjerëve në ditën e Kiametit dhe atyre u është premtuar shpërblim i madh, ashtu siç Allahu thotë: “…dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.” (El-Xhumua: 10), dhe thotë: “…përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (El-Ahzab: 35)

    Andaj agjëruesi është mirë ta shpeshtojë përmendjen e Allahut, në çdo kohë, në çdo moment dhe në çdo gjendje, në veçanti dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes, dhikrin pas namazeve, dhe dhikrin në kohë, gjendje dhe shkaqe të ndryshme, gjatë ditës dhe natës.

    Agjëruesi është mirë t’i shpeshtojë fjalët: subhanallah, elhamdulilah, la ilahe il-llah, uAllahu ekber. Ai që i thotë këto fjalë i mbillet një pemë në Xhenet, ato janë fjalët më të dashura tek Allahu dhe më të dashura te Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se çdo gjë mbi të cilën lind dielli (dynjaja dhe çfarë ka në të).

    Prandaj gjuha jote le të jetë në vazhdimësi e lagur nga të përmendurit e Allahut.

    1. Duaja është ibadet dhe arma e besimtarit, gjëja më e ndershme tek Allahu si dhe zbatim i urdhrit të Allahut: “Zoti juaj ka thënë: ‘Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem’!” (Gafir: 60)

    Në mes të ajeteve ku Allahu flet rreth agjërimit, Allahu na nxiti për lutje dhe dua dhe thotë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” (El-Bekare: 186)

    Në një hadith Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Tre personave nuk iu kthehet lutja: agjëruesit derisa të çelë iftar, imamit (udhëheqësit) të drejtë dhe atij që i është bërë padrejtësi.”[27]

    Në një hadith tjetër: “Allahu për çdo ditë dhe për çdo natë të Ramazanit liron robër nga zjarri i Xhehenemit, dhe çdonjëri nga ta e ka nga një lutje të pranuar.”[28]

    Prandaj agjëruesi duhet të përulet para Allahut dhe t’i lutet me këmbëngulje, duke i shfrytëzuar gjendjet dhe kohët e vlefshme, si: në sexhde, në pjesën e tretë të natës, kur çel iftar, në kunut në namazin e vitrit, në mes ezanit dhe ikametit, në dhjetëshin e fundit të Ramazanit. Ai që e shpeshton trokitjen e tij nëpër dyer, ka shpresa që t’i hapen atij.

    1. Ramazani është muaj i shpenzimit dhe i lëmoshës, i bujarisë dhe i fisnikërisë, i ndihmës së të ngratëve dhe të nevojtarëve. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të ishte më bujari ndër njerëzit dhe bujaria e tij edhe më tepër shtohej në Ramazan pasi e takonte Xhibrilin. Kjo e bënte Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të jetë më bujar në mirësi se era e lehtë e freskët.”[29]

    Ne në Profetin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e kemi shëmbëlltyrën më të mirë.

    Ebu Bekër ibën Ebi Merjem, Allahu e mëshiroftë, tha: “I dëgjoja të vjetrit tanë duke thënë: ‘Kur të vijë Ramazani, ai vjen si pastrues (i mëkateve). Dhe thoshin: Në Ramazan shtrijeni dorën dhe shpenzoni, sepse ajo që e shpenzoni shumëfishohet, sikurse shpenzimi në rrugë të Allahut’.”[30]

    Imam Ez-Zuhrij, Allahu e mëshiroftë, kur hynte muaji Ramazan thoshte: “Ramazani është muaj i Kuranit dhe i dhënies së ushqimit.”[31]

    1. Dhënia e sadakasë është nënshtrim i madh dhe është dëshmi dhe argument për imanin e sinqertë të atij që e jep. Sadakaja i bën hije ditën e Kiametit atij që e jep, ajo e mbron nga ndëshkimi i Allahut, ajo e ruan nga përfundimi i keq dhe nga sëmundjet, ajo ia shlyen mëkatet dhe e fik zemërimin e Allahut, ajo është shkak për bereqet në pasuri dhe shtim në risk, atij që e jep Allahu ia zëvendëson, ia shumëfishon dhe ia rrit derisa ajo të bëhet më e madhe se mali. Andaj shpeshtojeni dhënien e sadakasë në Ramazan.
    2. Nga bujaria në Ramazan është dhënia iftar agjëruesit. Shpërblimi është i madh, ashtu siç erdhi me një hadith ku Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush i jep iftar agjëruesit, do ta marrë shpërblimin sikurse të atij që agjëroi, pa iu pakësuar asgjë agjëruesit nga shpërblimi i agjërimit të tij.”[32]
    3. Muaji Ramazan është muaj i mbajtjes së lidhjeve farefisnore, i faljes dhe i tolerancës, andaj të parët dhe më meritorët me vizitën, me bujarinë, me butësinë dhe me mëshirën tënde ndaj tyre, le të jenë familjarët dhe të afërmit, e në veçanti të varfrit nga ta.

    Ai që i mban lidhjet farefisnore Allahu ia lehtëson riskun e tij, i jep bereqet në jetën e tij dhe e mbron nga përfundimi i keq.

    1. Agjërimi i Ramazanit, robit ia rikujton dhuntinë e madhe të Allahut mbi të, si dhe është rikujtim praktik për urinë e të uriturve dhe mjerimin e të varfërve dhe të ngratëve. Ai që e shijon dhembjen e urisë dhe etjes gjatë ditës për një muaj, do të kthjellet dhe do të vetëdijësohet rreth atij që shumicën e jetës së tij e jeton i uritur, kështu që do të bashkëndiejë me të varfrit dhe të ngratët dhe do të shpenzojë për ta.
    2. Muaji i Ramazanit, umetin e edukon të jetë unik dhe bashkë, jo të përçarë dhe të ndarë, ashtu siç Allahu thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” (El-Huxhurat: 10), dhe thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin.” (Et-Teube: 71)

    Myslimanët agjërojnë bashkërisht, bëjnë iftar bashkërisht me thirrjen e një ezani dhe përkujdesen për faljen e namazit me xhemat dhe faljen e namazit të teravive.

    1. Umreja është nga adhurimet e mëdha si dhe, shlyese e mëkateve dhe ajo e largon varfërinë e atij që e kryen. Kryerja e umres në Ramazan ka shpërblim më të madh ashtu siç Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kryerja e umres në Ramazan është e barabartë me haxhin[33], ose me kryerjen e haxhit me mua.”[34]
    2. Në Ramazan pëlqehet përpjekja dhe shtimi në ibadet, ditën dhe natën, si dhe koha të shfrytëzohet në vepra të mira, si: në namaz, lexim të Kuranit, të përkujdesurit për faljen e namazit me xhemat, nisja herët për në xhami, bamirësia ndaj njerëzve, dhënia e shpeshtë e sadakasë dhe qëndrimi në itikaf në dhjetëshin e fundit.

    Ibën El-Kajim, Allahu e mëshiroftë, tha: “Nga udhëzimi i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Ramazan ishte llojllojshmëria në ibadet dhe shtimi i tyre; Xhibrili ia lexonte Kuranin në Ramazan dhe takimi me Xhibrilin e bënte Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të jetë më bujar në mirësi se era e lehtë e freskët, ai ishte më bujari ndër njerëzit dhe kulmin e bujarisë e arrinte në Ramazan. Ai e shtonte sadakanë, bamirësinë, leximin e Kuranit, namazin, dhikrin dhe itikafin.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, muajin e Ramazanit e veçonte me ibadet më së tepërmi karshi çdo muaji tjetër.”[35]

    1. Kujdes dy herë që Ramazani mos të të kalojë në gjumë, thashetheme, rënie në mëkate dhe gjynahe.

    Ramazani është mundësi e madhe, andaj shfrytëzoje, bëhu i sinqertë në përpjekjet e tua në ibadet, me shpresë që ndoshta do të jesh nga fitimtarët në Ramazan.

    O ti, mungesa jote që ishte e gjatë, këto janë ditët e pajtimit.

    O ti, i cili ke humbur shumë, erdhën ditët e tregtisë dhe fitimit.

    Kush nuk fitoi në këtë muaj, atëherë në çfarë kohe do të fitojë?!

     

    E lusim Allahun ta pranojë nga ne agjërimin, namazin e teravive, leximin e Kuranit, dhe të na ndihmojë në adhurimin e Tij dhe të na bëjë nga fitimtarët. Amin.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Libri “Sezonet e adhurimit” ( i përkthyer në gjuhën shqipe)

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1] Buhariu (1899), Muslimi (1079).

    [2] Muslimi (233).

    [3]Buhariu (2014), Muslimi (760).

    [4] Buhariu (37), Muslimi (760).

    [5]Tirmidhiu (682), Ibën Maxhe (1642), shejh Albani e vlerësoi si të mire.

    [6] Tirmidhiu (3534), shejh Albani e saktësoi.

    [7] Buhariu (1904), Muslimi (1151).

    [8] Nesaiu (2220), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [9] Shih: Tefsir El-Bagavij (1/89), Ibën Kethir (1/251).

    [10] Imam Ahmedi (23070), hadithi është edhe në Sahih Et-Tergib (1032).

    [11] Tefsir El-Kurtubij (1/372).

    [12] Letaif El-Mearif (fq. 171).

    [13]Imam Ahmedi (6626), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (3882).

    [14]Buhariu (1896), Muslimi (1152).

    [15]Buhariu (1903).

    [16]Ez-Zuhd El-Kebir, Imam Bejhakiu (964).

    [17] Mburojë për qëllim është që agjërimi e mbulojë dhe pengesë nga mëkatet dhe paramburojë nga hyrja në Xhehenem. (sh.a.)

    [18]Buhariu (1894), Muslim (1151).

    [19]Fajdul Kadir, El-Munavij (242/4).

    [20]Zadul Mead, Ibën El-Kajim (2/29).

    [21]Musanaf, Ibën Ebi Shejbe (8973).

    [22]Buhariu (6), Muslimi (2308).

    [23]Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 171).

    [24]Shih: Tefsir Seid ibën Mensur (150,151), Letaif El-Mearif (fq. 171).

    [25]Ebu Davudi (1390), Imam Ahmed (6499), shejh Albani e saktësoi në Es-Sahiha (5/601).

    [26]Letaif El-Mearif (fq. 171).

    [27]Tirmidhiu (3598), Ibën Maxhe (1752), Imam Ahmedi (9743), dhe hadithin e saktësuan kontrolluesit e haditheve të El-Musned të imam Ahmedit, sipas rrugëve të haditheve tjera që dëshmojnë në ngritjen e saktësisë së hadithit.

    [28]Imam Ahmedi (7450), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (2169).

    [29]Buhariu (6), Muslimi (2308).

    [30]Fadail Ramadan, Ibën Ebi Ed-Dunja (25).

    [31]Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 171).

    [32]Tirmidhiu (807), Ibën Maxhe (1746), shejh Albani e saktësoi.

    [33] Për qëllim është në shpërblim me haxhin. (sh.p.)

    [34]Buhariu (1863), Muslimi (1256).

    [35]Zadul Mead, Ibën El-Kajim, (2/30).

  • PRITJA E MUAJIT TË RAMAZANIT

    PRITJA E MUAJIT TË RAMAZANIT

    Të nderuar vëllezër muslimanë!

    Frikojuni Allahut me frikërespekt të vërtet dhe dijeni se Ai ju mbikëqyr kudo që të jeni në fshehtësi apo haptazi.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El-Bekare:183)

    Çdo musliman është mallëngjyer për muajin e Ramazanit, muajin e mëshirës dhe Kur’anit. Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit. Prangosen shejtanët dhe në të është një natë më e mirë se një mijë net.

    Ky muaj ditët i ka të caktuara, kujtimet dhe kënaqësitë e paharruara dhe veprat e mira të dyfishuara. Prandaj, ju o vëllezër të Islamit, ju përgëzoj me zotërinë e muajve i cili na vjen pas një mungese të gjatë, ashtu si i përgëzonte Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, shokët e tij dhe u thoshte: Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ju ka urdhëruar të agjëroni në të. Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit kurse mbyllen dyert e Xhehenemit. Në këtë muaj shejtanët mbyllen. Në këtë muaj është nata e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga kjo e mirë, ai është vërtet i privuar.”

    Si mos të përgëzohet mëkatari kur i mbyllen dyert e Xhehenemit dhe i hapen të mëshirës dhe pendimit? Si mos të përgëzohet i mençuri kur në këtë kohë lidhen shejtanët? Muaj që nuk e arrin asgjë dhe askush në të mira dhe dobi. Ky muaj është muaj i fitoreve për Umetin. Në këtë muaj u fitua lufta e Bedrit, u çlirua Mekja, e më vonë Endelusi dhe Hitini e shumë të tjerë.

    Sot disa prej muslimanëve Ramazanit ia humbin shkëlqimin dhe vlerën e tij. Në vend që ta veçojnë me agjërim dhe Kur’an ata i braktisin shtëpitë për udhëtime dhe aventurë. Disa e shfrytëzojnë që ditën të flenë, ndërsa natën të lozin dhe argëtohen dhe ta luftojnë Allahun me mëkate.

    Ardhja e këtij muaji është begati e madhe për atë që Allahu nuk ia merr shpirtin. Dëshira e sa njerëzve ka qenë që ta agjërojnë këtë muaj të shenjtë, por sot nuk janë në mesin tanë?! Sa prej nesh këtë vit do ta agjërojmë së bashku e vitin tjetër Ramazanin do ta presim në varre: “Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.” (Lukman: 34)

    Si ta gostitim këtë mysafir të vlefshëm?

    Ky mysafir gostitet me hapjen e zemrave para se t’ia hapim dyert e shtëpisë, me pastrimin e shpirtrave dhe pastrimin e pasurisë.

    Prandaj, ti i cili i bën mëkat Allahut pendohu me sinqeritet që zemra jote të përmirësohet dhe gjendja jote të drejtohet. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”. (Et-Tehrim 8)

    O muslimanë!

    Ky muaj është muaj i mëshirës dhe faljes mes njerëzve. Muaj i largimit prej urrejtjeve dhe armiqësive, shkaqe që Umetin e përçanë dhe e dobësuan. Atë që Ramazani e takon si mos respektues i prindërve dhe shkëputësh i lidhjeve familjare, braktisës i vëllezërve të Islamit, dhe përgojues dhe shpifës në nderin e muslimanëve, lexoji këto ajete: “Frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet midis jush dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë”. (El-Enfal: 1); “Kurse ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira – Ne nuk ngarkojmë askënd më tepër nga sa ka mundësi – ata janë banorë të Xhenetit, në të cilin do të qëndrojnë përgjithmonë. Ne do ta shkulim urrejtjen nga kraharori i tyre. Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu.” (El-A’raf: 42-43)

    Ky muaj është muaji i ndihmesës dhe lëmoshës. Prej urtësive të tij është që muslimani të bashkëvepron me vëllezërit e tij në të gjitha sferat dhe t’i përgjigjet thirrjeve të varfërve dhe të dobëtëve. E ndjen në vete varfërinë e tyre, pikëllohet me pikëllimin e tyre dhe i dhemb shpirti me dhimbjen e shpirtrave të tyre. Ia zgjat dorën me lëmoshë dhe ndihmë dhe shpreson që Allahu veprat dhe pasurinë t’ia dyfishon: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” (El-Bekare: 261)

    Ky muaj është muaji i lutjeve dhe duave. Pasuria e fituar me haram është shkak i belave. Lutjet nuk pranohen, ëndrrat dhe shpresat nuk realizohen dhe dyert e qiejve nuk hapen. Pritja e Ramazanit me pastrimin e pasurisë prej haramit dhe bërjen e duave të sinqerta janë shpresa e muslimanit në dunja dhe ahiret: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” (El-Bekare: 186)

    Shiko në veten tënde, hulumto në shtëpinë tënde, fute dorën në xhepin tënd, pastroje pasurinë prej çdo harami që të dalësh para Allahut me zemër të frikësuar, pasuri të pastruar, dhe lutje të sinqerta të cilave u hapen dyert e qiejve.

    Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pesë namazet, namazi i Xhumasë deri në Xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër janë shkak për faljen e gjynaheve të vogla që janë bërë në mes tyre, nëse largohesh nga gjynahet e mëdha.

    Ata të cilët e kuptojnë Ramazanin si medrese për forcimin e imanit, pastrimin e moralit dhe forcimin e vullnetit, ata janë që përfitojnë prej tij. Gjatë ditës e shijojnë kënaqësinë e agjëruesit, gjatë natës e shijojnë ëmbëlsinë e namazit dhe lutjeve, ata janë të cilëve u hapen dyert e Xhenetit dhe u mbyllen dyert e Xhehenemit dhe i takojnë melekët natën e Kadrit me paqe dhe përgëzime. Ata janë të cilët ndahen prej Ramazanit të mëshiruar dhe të falur, me pendim dhe lutje të pranuar, dhe me besim të ripërtërirë dhe të forcuar.

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, na përcjell prej Abdullah ibën Amër ibën el Asit, radijallahu anhu, i cili thotë se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Agjërimi dhe Kur’ani ndërmjetësojnë për robin në ditën e Kiametit. Agjërimi thotë: “O Zot, ai është ndaluar nga ushqimet dhe epshet e tij ditën, më lejo të jem ndërmjetësues për të”. Dhe thotë Kur’ani: “O Zoti im, ai është ndaluar nga gjumi natën, më lejo të jem ndërmjetësues për të dhe ndërmjetësojnë.”

    Sad ibën Sehl, radijallahu anhu, na transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Vërtet në Xhenet është një derë e cila quhet Rejan, nëpër të cilën Ditën e Kiametit do të hynë vetëm se agjëruesit dhe askush tjetër përveç tyre. Do të thirret nga ajo derë ku janë agjëruesit. Pasi që të hynë ajo derë mbyllet dhe nuk do të mund të hyjë në të askush tjetër.”

    O robër të Allahut, frikojuni Allahut me frikërespekt të vërtetë: O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El-Bekare:183)

    Të parët tanë mirë e kuptuan urtësinë e Ramazanit. Ditët e tyre ishin angazhim, prodhim dhe përsosmëri. Netët e tyre ishin asketizëm, namaz dhe Kur’an. I tërë muaji për to ishte adhurim, mësim dhe ihsan (bamirësi). Gjuhët e tyre agjëruese nuk përgojonin, sytë e tyre agjëruese haram nuk shikonin dhe zemrat e tyre agjëruese kah asnjë mëkat dhe gjynah nuk mëtonin.

    Sot disa prej muslimanëve i morën të parët si model dhe e morën Ramazanin si sezon i adhurimeve dhe dyfishim i shpërblimeve. Ditën e agjëruan me përkushtim dhe natën u falën me përkushtim. Ndërsa disave prej tyre Ramazani nuk u bëri aspak dobi. Ditën e morën për gjumë, natën për argëtim dhe ngrënie dhe dëfrim. Allahu e bëri largim prej ushqimeve dhe epsheve dhe ndihmë të varfërve, ata e bënë prezantim të ushqimeve dhe pijeve duke u lavdëruar para njerëzve se unë jam i pasur.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Allahu i lartësuar ka thënë: Çdo vepër që kryen biri i Ademit është për të dhe çdo vepër e mirë i shpërblehet me dhjetë të mira deri në shtatëqind, përveç agjërimit, sepse agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të, ai largohet prej epsheve dhe ngrënies për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime, një kur ha iftarin dhe tjetri kur të takojë Zotin e tij. Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e miskut.”

    “Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë.”

    “Kush e agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu ia largon atij fytyrën prej zjarrit të Xhehenemit shtatëdhjetë pranvera.”

    E lus Allahun, azze ue xhel, që në këtë muaj të na falë dhe mëshirojë, adhurimet të na i shtojë, duatë dhe lutjet të na i pranojë, neve të gjithëve dhe prindërit tanë dhe familjet e tona prej Zjarri të na lirojë.

    Shejh Abdulbarij Thubejti

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Kushtrim Guraj

Support