Category: Dija & Daveti

  • LUTJA NË QABE U BË SHKAK SHËRIMI

    LUTJA NË QABE U BË SHKAK SHËRIMI

    Dr. Muhamed Hasani rrëfen dhe thotë:

    Para se të filloja ligjëratën time në Mekë, m’u afrua një njeri dhe më tha:

                “Shejh Muhamed Hasan, të betohem në Allahun, mos e thuaj asnjë fjalë para se të më dëgjosh!”

                “Urdhëro, o prindi im! Ulu afër meje!”, i thashë.

                Ai u ul pranë meje. Në pamje dukej një njeri i thjeshtë, tregtar. Allahu ia kishte hapur dyert e furnizimit dhe tregtisë, mirëpo ankohej nga një sëmundje e rëndë: ishte paralizuar plotësisht.

    “Kam udhëtuar në Londër për t’u kuruar, mirëpo nuk ishte caktimi i Allahut që të shërohem atje. Po ashtu, kam qenë edhe në Francë dhe në Amerikë, por nuk u shërova dot”, më thoshte ai. “Një ditë prej ditësh, i ulur para televizorit e pashë transmetimin e drejtpërdrejtë të namazit nga Qabeja dhe fillova të qaj. Pastaj, u thashë fëmijëve të mi që dëshiroj të udhëtoj te Sunduesi i shtëpisë së Tij. Ndërsa ato se kishin të qartë se te sunduesi i cilës shtëpi doja të udhëtoja. Unë u thashë që doja të udhëtoj te Mbreti i Sundimtarëve dhe se isha i bindur që Ai nuk do të më kthente të zhgënjyer. U thashë që doja të shkoj në Umre, kurse ato më thanë se nuk mund të lëviz. Prandaj, u thashë që ta marrin me qira një aeroplan privat.” Vazhdon njeriu të rrëfejë. “Kryesorja, ma plotësuan dëshirën dhe erdha në Meke. Kur erdha këtu, u thashë që të ma afrojnë karrigen time afër Qabesë dhe të më lënë të vetëm. Pastaj, fillova ta lus Allahun me disa fjalë, që i përsërita një orë të plotë, pa shtuar diçka tjetër. Gjatë lutjes time thosha: “O Zoti im, unë nuk do të dal nga Shtëpia Jote vetëm se duke ecur apo duke më përcjellë për në varr!” Kështu, bërtita një orë të plotë. Në fund, u lodha dhe më zuri gjumi. Duke fjetur, më erdhi një zë që më thoshte: “Ngrihu dhe ec! Ngrihu dhe ec! Ngrihu dhe ec!” dhe më doli gjumi. Pasi u zgjova, përsëri më erdhi një zë që thoshte të ngrihem. Kështu, unë u ngrita dhe eca. Pasi i bëra disa hapa, m’u kujtua se unë isha i paralizuar dhe, nga gëzimi i madh, bërtita e thashë: “O Zot, o Sundues, pasha Ty, nuk u zhgënjeva nga mbështetja në Ty dhe që çështjen time ta lash të ma zgjidhësh vetëm Ti.””

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • PIKËNISJA E LARGIMIT NGA STACIONI I PIKËLLIMIT

    PIKËNISJA E LARGIMIT NGA STACIONI I PIKËLLIMIT

    Kur e gjen veten të pikëlluar dhe lotët e nxehtë të rrjedhin si lumë nëpër faqe rikujto:

    Ka të tjerë që janë në pikëllim më të thellë se ti.

    Se çdo problem e ka edhe zgjidhjen e vet, prandaj kërko nga Allahu që të të udhëzojë deri tek ajo.

    Se Allahu nuk të ka privuar nga diçka, përveçse për të të dhënë diçka më të mirë.

    Se jeta nuk ndërpritet asnjëherë për shkak të një situate që e kalon apo me një dhembjen që e përjeton.

    Se pikëllimi është i porsalinduri i vetëm, që me kalimin e kohës zvogëlohet e ti mos e rrit duke u koncentruar në të.

    Se të suksesshmit janë ata që sfidat dhe situatat e jetës i shohin thjesht si probleme të përditshme jetësore dhe gjë normale.

    Pikënisja e largimit nga stacioni i pikëllimit: Pyete veten se çfarë do tani? Dhe mendo rreth asaj që e do e të bën të lumtur dhe koncentrohu në të.

    Dhe lexoje lutjen e largimit të brengave dhe mërzisë me përulje dhe ki mendim të mirë për Allahun: “O Allah! Unë kërkoj të më mbrosh nga brenga dhe mërzia, nga pafuqia dhe dembelizmi, nga frika dhe koprracia, nga zhytja në borxhe dhe nëpërkëmbja e njerëzve.” [1]

    [1] Buhariu (6369)

    Nga arabisht: Irfan JAHIU

  • E PRANOI ISLAMIN DUKE KËRKUAR MANGËSI NË KURAN

    E PRANOI ISLAMIN DUKE KËRKUAR MANGËSI NË KURAN

    Orientalisti kanadez, Dr. Gari Miler, është profesor i shkencave të matematikës dhe logjikës në Universitetin e Torontos. Ky njeri e donte shumë matematikën, logjikën dhe gjërat që ndërlidheshin e kuptoheshin me logjikë. Ai ishte thirrës shumë aktiv i fesë krishtere dhe, po ashtu, konsiderohej si njohës i mirë i Biblës.

    Një ditë prej ditësh, mori që ta lexojë Kuranin dhe të zbulojë mangësitë dhe gabimet në të, me qëllim që t’i përdorë ato si mjete gjatë thirrjes në fenë krishtere në mesin e myslimanëve. Ai shpresonte që Kuranin ta gjejë si një libër të vjetër, të shkruar para katërmbëdhjetë shekujsh, i cili flet për shkretëtira dhe gjëra tjera të ngjashme. Mirëpo, iu hutua mendja nga ajo që lexoi, madje zbuloi se ky libër në vete përmban gjëra që nuk gjenden në asnjë libër tjetër në këtë botë.

    Mendoi se në të do të gjejë raste të fanatizmit, të cilat i përjetoi i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!, si vdekja e gruas apo vdekja e djemve dhe vajzave të tij, mirëpo nga kjo nuk gjeti gjë. Kurse ajo që e la gojëhapur ishte kaptina që mban emrin “Merjem”, pra, emrin e nënës së Isait, paqja qoftë mbi të!, gjë nuk ekzistonte në librat e të krishterëve dhe as në ungjijtë e tyre. Dhe, po ashtu, vërejti se Isai është përmendur 25 herë në Kuran, kurse Muhamedi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!, është përmendur vetëm katër herë, dhe kjo me të vërtetë ia hutoi mendjen.

    Sërish e mori Kuranin për të hulumtuar dhe për të gjetur ndonjë mangësi, mirëpo kësaj radhe ia tërhoqi vëmendjen një ajet madhështor. Ky ishte ajeti ku Allahu thotë: “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.”[1]

    Doktor Gari Mileri rreth këtij ajeti tha: “Nga parimet e njohura shkencore në kohën bashkëkohore është parimi i zbulimit të gabimeve dhe ajo që më çudit është fakti se Kurani i thërret myslimanët dhe jomyslimanët në hulumtimin e gabimeve të tyre, gjë që askush nuk ka arritur ta zbulojë. Prandaj, nuk ekziston autor në botë që posedon aftësi të shkruajë një libër për të cilin, pastaj, do të pretendojë se është i pastër nga gabimet dhe mangësitë. Mirëpo, te Kurani është plotësisht e kundërta: të thotë se nuk ka gabime në të, madje edhe të sfidon që të hulumtosh gabimet e tij, kështu, që të bindesh se është i pastër nga të metat.”

    Nga ajetet që Gari Mileri qëndroi një kohë të gjatë duke përsiatur, është ajeti ku Allahu thotë: “A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë? Pastaj Ne e ndamë dhe bëmë nga uji çdo gjë të gjallë! Akoma nuk besojnë?!”[2]

                Ai rreth këtij ajeti tha: “Ky ajet, me saktësi, është tema e studimit shkencor e cila e fitoi çmimin Nobel në vitin 1973, në të cilën flitej rreth teorisë së eksplodimit të madh. Në të citohet se kozmosi që tani ekziston, është rezultat i një eksplodimi të madh, shpërthim nga i cili është formuar çdo gjë që gjendet në qiej.” Kurse për ujin që përmendet në këtë ajet, se është burim jete, doktori tha: “Kjo është për t’u çuditur, për arsye se shkenca bashkëkohore ka zbuluar se qelizat e gjalla përbëhen nga citoplazmat, ku prezenca e tyre në të është 80%, ndërsa citoplazma, në esencë, përbëhet nga uji. Prandaj, si është e mundur që njeriu i cili nuk ka ditur as shkrim e as lexim dhe ka jetuar para katërmbëdhjetë shekujve t’i dijë këto gjëra?! Pa dyshim, e gjithë dituria e tij ka qenë shpallje nga ana e Allahut.”

    Kështu, doktor Gari Mileri e pranoi Islamin dhe filloi të ligjërojë në të gjitha anët e botës. Po ashtu, ka realizuar shumë debate me priftërinj dhe thirrës të fesë krishtere, në mesin e të cilëve ishte vet më herët.

    [1]              (En-Nisa: 82)

    [2]              (El-Enbija: 30)

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • ISLAMI I NJË OFICERI AMERIKAN

    ISLAMI I NJË OFICERI AMERIKAN

    Një dijetar i njohur si Dr. Muhamed Hasani thotë:

    U takova me një oficer amerikan që e udhëhiqte një shoqatë dhe e realizuam një dialog.

                “Si e pranove Islamin?”, e pyeta duke u çuditur, se më herët, madje, kishte qenë edhe prift fanatik i krishter.

                “E lexova Kuranin me përkthim dhe një numër të konsiderueshëm hadithesh nga libri i Imam Buhariut”, tha oficeri. “Kurse shkaku kryesor që pranova Islamin ishte fakti që pranoi Islamin një nga shokët e mi të punës. Një ditë shkova ta takoj atë rreth një çështjeje të punës, ndërsa të pranishmit më thanë se ai gjendet në xhami. Unë u drejtova kah xhamia dhe u ndala te dera e saj që ta thërras, mirëpo në ato momente thirri ezani dhe fjalët e ezanit depërtuan thellë në shpirtin tim. Kështu, ndjeva një ndryshim të madh në brendësinë time. Nuk di si ta shprehi atë ndjenjë, për shkak se më herët asnjëherë nuk e kam shijuar këtë ëmbëlsi. Më pas, i shikova myslimanët, ata faleshin së bashku, binin në ruku, në sexhde së bashku, kurse unë e thirrja shokun tim të punës, i cili nuk m’u përgjigj”, vazhdoi, “por, pasi përfundoi namazi, e thërrita atë dhe i thashë se unë jam kryesori i tij në punë dhe se patjetër e ka që të më përgjigjet kur ta thërras. Kurse ai më tha se nuk më është përgjigjur ngaqë ka qenë në namaz, para Zotit të tij dhe se kur është në atë gjendje, nuk i përgjigjet askujt pos Allahut. Nga ky çast, ndjeva kënaqësi të thellë për këtë fe dhe shokut tim i thashë se ç’duhet të bëja që ta pranoja Islamin? Ndërsa ai më tha se së pari duhej të pastrohesha e më pas të dëshmoja shehadetin. Kështu, u pastrova, dëshmova shehadetin dhe u bëra mysliman.”

                Emri i tij qe Majkëll, ndërsa tani e quajnë Abdusabur.

                Më pas, i thashë atij:

                “Si e sheh ardhmërinë e Islamit në Amerikë?”

                “Islami në Amerikë është duke u zhvilluar mirë. Pra, nuk them “myslimanët”, por them “Islami””, u përgjigj ai.

                Kështu më tha oficeri amerikan, kurse në fund më përgëzoi se shumë amerikanë kanë filluar të kuptojnë se Islami i vërtetë është Islami i Lindjes së Mesme dhe se mesazhi i Isait është po i njëjti mesazh sikurse ai i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • AGJËRIMI VULLNETAR

    AGJËRIMI VULLNETAR

    MUNDËSI E PASTËR

    Ata që punojnë me ndërrime dhe nëpër rajone të izoluara, kanë mundësi të madhe për agjërim vullnetar. Kur janë në ndërrim të natës, e kanë më lehtë gjatë ditës të agjërojnë, sepse pushojnë dhe flenë. Kështu e kishte zakon një punëtor i cili tregon se i agjëronte gjashtë ditët e Shevalit, tri ditët për çdo muaj etj. gjatë javëve kur ishte në ndërrimin e natës.

    AGJËRIMI I DITËVE TË BARDHA

    Pëlqehet të agjërohen për çdo muaj dita e 13-të, e 14-të dhe e 15-të e muajve hënorë, duke u mbështetur në hadithin e Ebu Dherrit h, i cili tregon: “Na urdhëroi Pejgamberi ﷺ t’i agjërojmë gjatë muajit tri ditët e bardha.”[1] E kanë marrë emrin ditët e bardha shkaku i dritës që del nga hëna e plotë e cila e ndriçon qiellin gjatë natës. Hëna në ato net shfaqet e plotë, duket e qartë dhe me dritë që e zbardhon natën e, pasi drita i përfshin ato net, i përshtatet rastit që ato ditë të përfshihen me adhurim.

    AGJËRIMI I TRI DITËVE NË ÇDO MUAJ

    Pejgamberi ﷺ e porositi Ebu Hurejrën h t’i agjëronte për çdo muaj nga tri ditë.

    Kur duhet të agjërohen këto ditë? A detyrohet të agjërohen të pandara?

    Përgjigjja: “Lejohet të agjërohen rresht njëra pas tjetrës, apo të ndara kurdo brenda muajit.”

    U pyet Aisha i nëse Pejgamberi ﷺ i agjëronte tri ditë për çdo muaj. U përgjigj: “Po.” E i thanë: “Cilat ditë brenda muajit i agjëronte?” U tha: “Nuk ua vinte mendjen se cilave ditë të muajit t’i agjërojë.”[2]

    Pejgamberi ﷺ thoshte: “Agjërimi i tri ditëve në çdo muaj është njëlloj sikur të ketë agjëruar tërë vitin.”[3]

    I porositi disa sahabë t’i agjëronin nga tri ditë, prej tyre, Ebu Hurejrën, Kehmes el-Hilalin, Ebu Dherin, Abdullah ibn Amrin, Ebu Derdanë dhe Umu Selemen j.

    Pëlqehet që agjërimi i këtyre tri ditëve të jetë në ditët e bardha. Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Pejgamberi ﷺ lajmëroi se agjërimi i tri ditëve në çdo muaj është njëlloj sikur të ketë agjëruar tërë vitin, mirëpo më e mira është që agjërimi i tyre të bëhet në ditët e bardha.”[4]

    Shpresohet për atë i cili i agjëron këto ditë me nijet për gjashtë ditët e Shevalit, t’i shkruhen atij dy shpërblime.

    Po qe se dëshiron këto tri ditë t’i agjërojë në ditët e bardha (d.m.th. në ditën e 13-të, të 14-të dhe të 15-të të muajve hënorë), mirëpo ditën e 13-të të muajit Dhulhixhe nuk mundet ta agjërojë për shkak se është prej ditëve të Teshrikut (dita e 4-të e Kurban Bajramit). Dijetari, Ibn Bazi, Allahu e mëshiroftë, për këtë thotë: “Mund të agjërohet dita e 14-të dhe e 15-të e muajve hënorë e, nëse do ta agjërojë të 16-tën apo ndonjë ditë tjetër të muajit të Dhulhixhes që t’i plotësojë tri ditë, nuk është problem, kjo është më e mirë.[5]

    AGJËRIMI NË DITËN E XHUMA

    Ka ardhur ndalesë që dita e xhuma të veçohet me agjërim, përveç kur asaj dite i shtohet një ditë para apo mbrapa, apo ai i cili e ka zakon të agjërojë një ditë po dhe një ditë jo, apo ai i cili i agjëron tri ditët e bardha, apo e agjëron ditën e Arafatit (apo ditën e Ashurës) dhe agjërimi i këtyre ditëve bie në ditën e xhuma.[6]

    Po ashtu “i lejohet myslimanit në ditën e xhuma t’i agjërojë ditët e mbetura nga Ramazani, qoftë edhe nëse e veçon xhumanë me agjërim.”[7]

    Ai që agjëron në ditën e xhuma, pa e agjëruar një ditë para, pra ditën e enjte, duhet që agjërimit të ditës së xhuma t’ia shtojë agjërimin e ditës së shtunë dhe kështu t’i ikën ndalesës që e xhumaja të veçohet me agjërim, sepse Pejgamberi ﷺ i tha nënës së besimtarëve Xhuvejrije bint El-Harith i, e cila kishte agjëruar në ditën e xhuma: “Dje a mbajte agjërim?” – Iu përgjigj: “Jo.” – Pejgamberi ﷺ i tha: “E ditën e nesërme a do të agjërosh?” – Iu përgjigj: “Jo.” – “Atëherë mos agjëro as sot.” – i tha Pejgamberi ﷺ. [8]

    GRUAJA DHE AGJËRIMI VULLNETAR

    Nuk i lejohet gruas të agjërojë nafile si gjashtë ditët e Shevalit etj. pa lejen e burrit të saj, duke u mbështetur në hadithin: “Nuk i lejohet gruas të agjërojë (agjërim vullnetar) duke qenë burri i saj i pranishëm (në shtëpi apo në vend), pa lejen e tij.”[9] Kjo, për shkak se haku ndaj burrit është më i madh se agjërimi vullnetar.

    Nëse ka filluar të agjërojë nafile pa lejen e tij dhe ai e urdhëron ta prishë agjërimin, duhet t’i bindet atij.

    Nëse burri e lejon të agjërojë e më pas e ndërron vendimin dhe kërkon prej saj ta prishë agjërimin, duhet t’i bindet edhe në këtë rast.

    Gruaja që burrin e saj nuk e ka të pranishëm, mund të agjërojë pa lejen e tij.

    Ndërsa, për sa i përket kompensimit të ditëve të mbetura, nëse hapësira është e gjerë (d.m.th. ka kohë për t’i kompensuar), nuk lejohet të agjërojë pa lejen e tij, por, nëse nuk ka hapësirë dhe koha është e ngushtë për t’i kompensuar ditët e mbetura nga Ramazani, p.sh., nëse është në muajin Shaban, në dhjetëshin e fundit të tij dhe ajo i ka dhjetë ditë të paagjëruara, në këtë rast agjëron pa marrë leje prej tij.[10]

    AGJËRIMI NË MUAJIN MUHARREM

    Muaji Muharrem[11] e ka marrë këtë emër nga fakti se bën pjesë në muajt e shenjtë[12], duke e vërtetuar në këtë formë shenjtërinë e tij.

    Pejgamberi ﷺ tha: “Agjërimi më i mirë pas atij të muajit Ramazan është agjërimi në muajin e Allahut, muajin Muharrem.”[13] Dedikimi i muajit si muaj i Allahut është në shenjë nderimi dhe madhështie, gjë që aludon në vlerën dhe madhështinë e tij si muaj. Pëlqehet të agjërohet sa më shpesh gjatë këtij muaji.

    Hasen Basriu, Allahu e mëshiroftë, tha: “Allahu e filloi vitin me një muaj të shenjtë dhe e përfundoi me një muaj të shenjtë, andaj tek Allahu, pas muajit Ramazan, nuk ka muaj më të mirë brenda vitit se muaji Muharrem.”[14]

    Fjalët e Pejgamberit ﷺ në hadith: “Agjërimi më i mirë pas atij të muajit Ramazan është agjërimi në muajin e Allahut, muajin Muharrem”:

    Sqarojnë se muaji Muharrem është muaji më i mirë pas muajit Ramazan.

    Ia dedikoi Vetes muajin Muharrem si “muaji i Allahut” në shenjë nderimi dhe madhështie të agjërohet në të.

    Më mirë është të mos agjërohet krejt muaji, duke u bazuar në fjalën e Aishes i: “Nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ  që e ka agjëruar ndonjë muaj plotësisht përveç Ramazanit.”[15] Megjithatë, nëse e agjëron, nuk është problem.

    Ditët më të mira të muajit Muharrem janë dhjetëshi i parë.[16]

    AGJËRIMI I ASHURËS[17]

    Pejgamberi ﷺ tha: “Për agjërimin e ditës së Ashurës, shpresoj që Allahu të m’i shlyejë gjynahet e vitit që kaloi.”[18]

    Agjërimin e plotë të Ashurës agjëruesi e merr kur nijetin e bën natën (d.m.th. deri në kohën e imsakut). Ngritja në syfyr llogaritet bërje e nijetit.

    Lejohet të agjërohet Ashura veç në ditën e dhjetë, megjithatë atij që i ka ikur mundësia t’ia shtojë ditës së dhjetë një ditë para, pra ditën e nëntë të Muharremit, pëlqehet ta agjërojë ditën e njëmbëdhjetë të Muharremit. Kështu i kundërshton hebrenjtë dhe e merr shpërblimin.

    Më e mirë për udhëtarin është ta agjërojë këtë ditë përderisa nuk ndien vështirësi.

    Sahabët i kalitnin fëmijët e tyre ta agjëronin  ditën e Ashurës dhe kur ata ndienin uri, i mashtronin me lodra.

    Lejohet të veçohet dita e dhjetë e Muharremit me agjërim, por më mirë është t’i bashkëngjitet një ditë para. Agjërimi i ditës së nëntë dhe të dhjetë është më i mirë se agjërimi i ditës së dhjetë dhe të njëmbëdhjetë, sepse Pejgamberi ﷺ tha: “Nëse jam gjallë vitin që vjen, do ta agjëroj ditën e nëntë.”[19] Kur i bashkëngjitet dita e nëntë ditës së dhjetë, kështu i kundërshton hebrenjtë dhe është më e sigurt për ta qëlluar ditën e Ashurës.

    Myslimani e mbron veten duke bërë vepra që ia shlyejnë gjynahet, si: agjërimi i Ramazanit, i ditës së Ashurës, i ditës së Arafatit, marrja e abdesit, falja e namazit, xhumaja, përputhja e aminit të namazfalësit me aminin e melekëve (pasi ta lexojë suren Fatiha në namaz).

    Këto vepra i shlyejnë mëkatet e vogla e, nëse ato njeriu nuk i ka, atëherë shpresohet t’i lehtësohen mëkatet e mëdha. E, nëse ato nuk i ka, atëherë i rriten gradat dhe i shtohen të mirat.[20]

    Dita e Ashurës është ditë madhështore nga ditët e Allahut, ashtu siç erdhi në hadith[21], ndërsa Allahu thotë: “… Dhe përkujtojua atyre ditët e Allahut….” (Ibrahim: 5).

    Agjërimi i ditës së saj i shlyen mëkatet e vitit të kaluar. Të përbashkët me agjërimin e ditës së Arafatit e ka shlyerjen e mëkateve, saqë me agjërimin e këtyre dy ditëve, pastrimi nga mëkatet bëhet më i fortë dhe i rriten shkallët besimtarit më lart.

    Agjërimi i ditës së Ashurës ka qenë i patjetërsueshëm para se të detyrohet agjërimi i muajit Ramazan, e më pas u bë i pëlqyeshëm.

    Në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe e fundosi në det faraonin dhe popullin e tij. Kjo ndodhi na kujton me disa gjëra:

    – Allahu i shpëton të dashurit, besimtarë e vepërmirë që e kanë frikë Allahun.

    – Sado umeti të jetë i dobët, mos u dëshpëro, por mbështetu në Allahun dhe bëj sabër.

    – Zullumqarëve u vjen fundi.

    – Allahu me bujarinë e Tij për një vepër të vogël (agjërimin e një dite), fal shumë (shlyen mëkatet e një viti).

    Ibn Abasi h përcjell se Pejgamberi ﷺ kur erdhi në Medine i gjeti hebrenjtë duke e agjëruar ditën e Ashurës dhe u tha: “Çfarë është kjo ditë që ju po e agjëroni?” I thanë: “Kjo ditë është madhështore, Allahu në të e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga armiku i tyre dhe Musai këtë ditë e agjëroi në shenjë falënderimi dhe po e agjërojmë edhe ne.” Pejgamberi ﷺ tha: “Ne kemi më shumë të drejtë dhe jemi më meritorë për Musain sesa ju.”; kështu që Pejgamberi ﷺ e agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi të agjërohet.”[22]

    Hadithi tregon se për begatinë e shpëtimit, Allahu u falënderua me agjërim të kësaj dite, ndërsa Pejgamberi ﷺ nuk la që hebrenjtë të veçohen në këtë ditë me mirësi, por i kundërshtoi duke ia shtuar (ditës së dhjetë) një ditë para me agjërim.

    Dita e Ashurës është ditë madhështore ku Allahu e shpëtoi Musain n nga faraoni, armiku i tij. Hadithi: “Ne kemi më shumë të drejtë dhe jemi më meritorë për Musain sesa ju”; tregon se myslimani është më meritor t’i do të gjithë të dërguarit e Allahut, të besojë në ta, t’ua respektojë pozitën dhe t’i urrejë armiqtë e tyre: “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij…” (El-Bekare: 285). Ndërsa, kush i dallon duke besuar në disa prej tyre e duke i mohuar disa të tjerë, apo beson në ndonjërin prej tyre, por nuk e ndjek rrugën e tij, nuk ka të drejtë të lidhet me të apo të flasë në emër të tij.

    Hadithi: “Mos e veçoni me agjërim ditën e xhuma nga ditët e tjera, përveç nëse ndonjëri nga ju agjëron dhe agjërimi i tij përputhet me këtë ditë”[23]; tregon që urrehet të veçohet xhumaja me agjërim. Ndërsa, nëse dita e Ashurës bie në ditën e xhuma, nuk ka pengesë dhe nuk urrehet që kjo ditë të veçohet me agjërim. Myslimani e agjëron me qëllim të Ashurës, sepse është ditë që ligjërohet agjërimi i saj, e jo se është ditë e xhuma.

    Pamjet që i transmetojnë disa kanale televizive me rastin e ditës së Ashurës ku shohim njerëz që veprojnë gjëra të ndryshme (rrahje të vetvetes me shpulla dhe vajtime), që Islami nuk urdhëron në to, por ato janë risi në fe dhe kjo na bën ta falënderojmë Allahun për udhëzimin tonë në sunet. E jona është të mundohemi të pakësojmë nga ato veprime të ndaluara, duke ua mësuar njerëzve fenë e Allahut dhe sunetin.

    Secili hadith që transmetohet prej Pejgamberit ﷺ për vlerën e lyerjes së syve, e ngjyrosjes, e pastrimit, e vizitës së varrezave etj. në ditën e Ashurës, është i pavërtetë dhe gënjeshtër.

    Asnjë hadith ku përmendet vlera e ditës së Ashurës, nuk është i saktë. Hadithet e vetme të sakta janë ato ku përmendet agjërimi, shlyerja e mëkateve të një viti dhe shpëtimi i Musait dhe popullit të tij nga faraoni. Vlera dhe madhështia e këtyre haditheve na mjaftojnë.

    Hadithi: “Ai që tregohet zemërgjerë me familjen e tij në ditën e Ashurës, Allahu do t’i japë me bollëk gjatë tërë vitit”, nuk është i vërtetë.[24]

    A lejohet t’i jepet përparësi agjërimit vullnetar para atij farz, si: kompensimi i ditëve të mbetura etj.? Dijetarët kanë përmendur disa mendime, por më mirë dhe shpërblim më të madh ka nëse i jepet përparësi agjërimit farz. Gruaja që e ka pasur nijet ta agjërojë ditën e Ashurës, por i kanë ardhur menstruacionet, shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit, “sepse po të mos ishte pengesa e menstruacioneve, nijeti i saj ka qenë i sinqertë të agjërojë. Njeriu kur e bën nijetin për vepër të mirë dhe i merr shkaqet, por, ndërkohë, në mes të tij dhe arritjes deri tek ajo vepër, del ndonjë pengesë të cilën nuk mund ta largojë, atij i shkruhet shpërblimi sikur ta kishte bërë atë vepër.”[25]

    Gruaja që e ka zakon ta agjërojë ditën e Ashurës, mirëpo e pengon ndonjë arsye apo sëmundja të agjërojë, shpresohet të marrë shpërblimin sikur të atij që agjëron. Ajo shpërblehet vendosmërinë dhe për keqardhjen që e ndien në zemër që po i ikën ky adhurim. Le të mundohet ta kompensojë këtë dhembje sadopak duke qenë në shërbimin e agjëruesve nga familjarët e saj.

    Po qe se ndonjëri e agjëron ditën e Ashurës në ditën e xhuma (dhe nuk i shton ditë para apo pas) për shkak se Ashura i bie në ditën e xhuma, agjërimi i tij është në rregull. Ndalesa është që xhumaja të synohet që të veçohet me agjërim. Megjithatë, nëse ia shton agjërimit të Ashurës, që bie në ditën e xhuma, ditën e shtunë, do të ishte më mirë.

    AGJËRIMI NË MUAJIN SHABAN

    Usame ibn Zejd h thotë se e pyeta Pejgamberin ﷺ dhe i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Nuk të kam parë të agjërosh ndonjë muaj tjetër sikurse e agjëron muajin Shaban?”  Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Muaji Shaban është muaj të cilin njerëzit e anashkalojnë, ngase është në mes të muajit Rexheb dhe Ramazan. Ky është muaj që ngriten veprat te Zoti i botëve dhe unë dëshiroj që të më ngriten veprat duke qenë me agjërim.”[26]

    Janë tri lloje të ngritjes dhe prezantimit të veprave tek Allahu: ngritja ditore, javore dhe vjetore.

    Lloji i parë: Ngritja ditore; për çdo ditë veprat ngrihen dy herë, një herë brenda natës dhe një herë brenda ditës. Vepra e ditës ngrihet në fund të ditës, kurse vepra e natës në fund të natës.

    Lloji i dytë: Prezantimi javor; dy herë brenda javës prezantohen veprat, ditën e hënë dhe ditën e enjte.

    Lloji i tretë: Ngritja vjetore; veprat e një viti ngrihen përnjëherë në muajin Shaban.

    Është edhe një ngritje tjetër e veprave, ajo e pasvdekjes. Kur të vijë exheli, veprat e jetës në tërësi ngrihen dhe prezantohen para Allahut dhe me këtë mbyllen edhe fletushkat e veprave. Ky është prezantimi i fundit.

    Hadithin “Kur të plotësohet gjysma e Shabanit, mos agjëroni pas asaj dite”[27], shumica e dijetarëve e dobësojnë e disa të tjerë e vlerësojnë të saktë.

    Qëllimi i hadithit është se ndalohet të fillohet me agjërim pasi të plotësohet gjysma e Shabanit, ndërsa ai që e ka agjëruar shumicën e muajit, ia ka qëlluar sunetit.[28]

    Lejohet të agjërohet pasi të plotësohet gjysma e muajit Shaban:

    Ai që ka agjëruar në gjysmën e parë.

    Ai që e ka traditë të agjërojë vullnetarisht, si ditën e hënë dhe të enjte.

    Ai që duhet t’i kompensojnë ditët e mbetura nga Ramazani i kaluar, apo ka ndonjë zotim apo shpagim.

    AGJËRIMI NË DHJETË DITËT E DHULHIXHES

    Agjërimi i dhjetë ditëve të Dhulhixhes për atë që ka ditë të paagjëruara nga Ramazani i fundit:

    Ai që ka ditë të mbetura të paagjëruara, e ka për obligim të fillojë me to para se të fillojë me agjërim vullnetar, sepse farzi është më i rëndësishëm se vepra nafile. Ky është mendimi më i saktë i dijetarëve.[29]

    Ai që ka ditë të paagjëruara, duhet të nxitojë të fillojë me agjërimin e tyre, në vend se të fillojë me agjërimin e nafileve. Kështu e kryen borxhin gjatë këtyre ditëve me vlerë.

    AGJËRIMI NË DITËN E ARAFATIT

    Agjërimi i ditës së Arafatit i shlyen mëkatet e dy viteve. Agjërimi në ditën e Kurban Bajramit dhe në tri ditët pas tij (d.m.th. në ditët e Teshrikut) është i ndaluar dhe ai që e agjëron, bën mëkat. Këtu bën përjashtim haxhiu që nuk ka mundësi të bëjë el-hedjin (kurbanin)[30].

    Allahu thotë: “Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh …” (El-Kasas: 68); “përqendrimi në Islam bëhet vetëm me nënshtrime dhe bindje.”[31]

    Agjërimi i një dite i fshin mëkatet e më shumë se shtatëqind ditëve (pra, të dy viteve). Pejgamberi ﷺ tha: “Agjërimi i ditës së Arafatit, shpresoj dhe llogaris që Allahu t’i shlyejë mëkatet e vitit që kaloi dhe vitit të ardhshëm”.[32]

    Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “I shlyen për dy vjet mëkatet e atij që e agjëron.”[33]

    Sa thesar i vërtetë dhe mundësi e madhe. Pasha Allahun, nuk mund të barazohet me asnjë shumë!

    Udhëtarit, përderisa nuk gjen vështirësi ta agjërojë ditën e Arafatit gjatë udhëtimit të tij, i lejohet të agjërojë.

    Atë që e pengon ndonjë arsye e shëndoshë ta agjërojë ditën e Arafatit, si i sëmuri, gruaja me menstruacione apo gjidhënësja, dhe nga tradita e tyre ka qenë ta agjërojë ditën e Arafatit për çdo vit, ai apo ajo do të shpërblehet sipas nijetit dhe nga pamundësia e agjërimit të kësaj dite, le të përkujdeset të veprojë vepra të tjera bamirësie dhe nga ato që ia shlyejnë mëkatet.

    Më e mira dhe më e përsosura tek agjërimi vullnetar i përcaktuar, ku në të bën pjesë edhe agjërimi i ditës së Arafatit, është që nijeti për agjërim të bëhet natën me qëllim që shpërblimi të jetë i plotë dhe jo i mangët dhe me ngritjen për syfyr llogaritet se është bërë nijeti.

    Sahabët kujdeseshin për agjërimin e fëmijëve të tyre në ditët e mëdha në vlerë sikurse dita e Arafatit, që të mësohen me adhurim dhe respektim të riteve.

    Dijetari, Ibn Bazi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Nëse dita e Arafatit bie në ditën e xhuma, nuk ka pengesë dhe nuk urrehet që kjo ditë të veçohet me agjërim. Myslimani në këtë rast e agjëron të xhumanë si ditë Arafati, e jo se është ditë xhumaje…”[34]

    Po qe se ia bashkëngjit edhe ditën e enjte, do të ishte më mirë, duke e pasur faktin që dita e enjte në këtë rast i bie të jetë, 8 Dhulhixhe, prej dhjetëshit të parë të Dhulhixhes, që janë ditë më vlerë.

    Gruas që i ka mbetur ndonjë ditë e Ramazanit pa agjëruar dhe ditën e Arafatit e agjëron me nijet kompensimi të ditës së humbur të Ramazanit, agjërimi i saj pranohet si kompensim dhe shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit të Arafatit[35]. E njëjta gjë vlen edhe për agjërimin e ditës së Ashurës, nëse agjërohet me nijet kompensimi.[36]

    DITËT E TESHRIKUT

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Agjërimi në ditët e Teshrikut nuk lejohet, përveçse për haxhiun që nuk ka mundësi të bëjë el-hedjin (kurbanin)[37].”[38]

    Ditët e Teshrikut, dita e 11-të, e 12-të dhe e 13-të e Dhulhixhes, janë tri ditët që vijnë pas ditës së Kurban Bajramit. Ndryshe quhen edhe si ditët e Minës, ngase në këto ditë haxhilerët qëndrojnë në Mina dhe njashtu janë ditë të gjuajtjes së guralecëve në Xhemarat.

    Shumica e dijetarëve nuk e lejojnë agjërimin e këtyre ditëve, qoftë agjërim vullnetar apo kompensim të ditëve të humbura apo shkaku i zotimit dhe, sipas tyre, ai që i agjëron ditët e Teshrikut, agjërimi i tij është i pavlefshëm.

    Ditët e Teshrikut janë ditë feste dhe nuk lejohet të agjërohen. Pejgamberi ﷺ ndaloi që këto ditë të agjërohen dhe tha: “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënieje, pirjeje dhe përmendjeje të Allahut.”[39]

    Hadithi na e bën të qartë se me ngrënie dhe pirje në ditët e Bajramit, myslimani ndihmohet për ta përmendur dhe adhuruar Allahun. Kështu bëhet falënderimi i plotë për begatitë, ndërsa ai që i përdor begatitë e Allahut për t’i mëkatuar Atij, vetëm se i mohoi ato, e pas kësaj Allahu mund t’ia zhdukë ato.

    VEÇIMI I DITËS SË FUNDIT TË VITIT ME AGJËRIM

    Të veçohet dita e fundit e vitit (hënor) me adhurim si me agjërim apo namaz është risi në fe.

    Nuk lejohet thënia: Përfundoje vitin me agjërim.

     

    Dr.Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë nga libri: “Zahireja e agjëruesit”

     

    [1] Nesaiu (2422), shejh Albani e vlerësoi të mirë.

    [2] Muslimi (1160).

    [3] Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Abdullah ibn Amru k

    [4] Fetava Ibn Uthejmin (20/11).

    [5] Fetava Ibn Baz (15/380).

    [6] Fet’hul Barij (4/347).

    [7] Fetava el-Lexhnetu ed-Daime (10/347).

    [8] Buhariu (1986).

    [9] Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Ebu Hurejrës h.

    [10] Sherh Rijadu es-Salihin, Ibn Uthejmin (3/641).

    [11] Muaji Muharrem është muaji i parë hixhri dhe është muaji i fundit nga muajt e shenjtë. (sh.p.)

    [12] Muajt e shenjtë janë katër: Dhulkade, Dhulhixhe, Muharrem dhe Rexheb. Këta muaj janë me shumë vlerë dhe të bekuar dhe në ta ndalohet rreptësisht lufta. Muaji i parë prej katër muajve të shenjtë është muaji Rexheb, kurse i fundit është Muharrem, edhe pse në kalendarin hixhri në radhitje muaji Rexheb është i shtati, kurse Muharrem është i pari. (sh.p).

    [13] Muslimi (1163).

    [14] Lataiful Mearif, Ibn Rexheb (fq. 36).

    [15] Buhariu dhe Muslimi.

    [16] Lataiful Mearif (fq. 35).

    [17] Dita e Ashurës bie në ditën e dhjetë të muajit Muharrem, të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve të mëhershëm dhe bashkëkohorë, në këtë aludojnë hadithet, këtë kuptim e përmban vetë fjala (Ashura) dhe kjo është e njohur te dijetarët e gjuhës. Ashura është emër islam dhe si emër nuk është njohur në periudhën para Islamit. (Burimi: Muaji Muharrem – Dr. Salih el Munexhid) (sh.p.)

    [18] Muslimi (1162).

    [19] Muslimi (1134).

    [20] Sherh Nevevij ala Muslim (3/113).

    [21] Hadithi: “Ashura është ditë nga ditët e Allahut.” Shënon Muslimi (1892).

    [22] Buhariu (3943), Muslimi (1130).

    [23] Muslimi (1144).

    [24] El-Menar el-Munif (fq. 11-112), Silsiletu el-Ehadith ed-Daife (6724).

    [25] Fetava nurun ala ed-derb, Ibn Uthejmin (11/2).

    [26] Nesaiu (2357), shejh Albani e vlerësoi si të mirë në es-Sahiha (1898).

    [27] Ebu Davudi (2337), Tirmidhiu (738), Ibn Maxhe (1651).

    [28] Fetava Ibn Baz (2357), shejh Albani e vlerësoi të mirë.

    [29] Fetava Ibn Baz (15/395).

    [30] Haxhiu që haxhin e ka Temetu apo Kiran (dy lloje të haxhit) dhe nuk ka mundësi të therë kurban. (sh.p.)

    [31] El-Akide et-Tahavije (fq.43).

    [32] Muslimi (1162).

    [33] Sherh Nevevij ala Muslim (8/51).

    [34] Fetava Ibn Baz (51/414).

    [35] Por, ajo më e mira është që kompensimi i ditëve të humbura të Ramazanit të bëhet jashtë ditës së Arafatit, njëkohësisht, ta agjërojë ditën e Arafatit me nijet agjërimi vullnetar, e më pas t’i agjërojë ditët e humbura të Ramazanit dhe kështu të bashkojë në mes të dy mirësive, mirësisë së kompensimit dhe mirësisë së agjërimit të ditës së Arafatit. (Shih: Fetava el-Lexhnetu ed-Daime (10/398).) (sh.p.)

    [36] Fetava Nurun ala ed-Derb, Ibn Uthejmin (2/11).

    [37] Haxhiu që haxhin e ka Temetu apo Kiran (dy lloje të haxhit) dhe nuk ka mundësi të therë kurban. (sh.p.)

    [38] Buhariu (1998), prej hadithit të Ibn Omerit dhe Aishes j.

    [39] Ebu Davudi (2813), Nesaiu (4230), prej hadithit të Aishes i, Albani e saktësoi.

  • AGJËRIMI I GJASHTË DITËVE TË SHEVALIT

    AGJËRIMI I GJASHTË DITËVE TË SHEVALIT

    “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali, është njëlloj sikur të ketë agjëruar tërë vitin.”[1]

    Kush e agjëron muajin e Ramazanit, është sikur të ketë agjëruar dhjetë muaj dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pas Fitër Bajramit është sikur të ketë agjëruar dy muaj. Kështu plotësohet një vit:

    Lejohet agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pa shkëputje apo veç e veç brenda muajit Sheval.

    Gjashtë ditët mund të agjërohen kurdo brenda muajit Sheval, prej dy Sheval (dita e dytë e Bajramit) e deri në ditën e fundit të muajit.

    Nuk ka problem nëse ditët e Shevalit agjërohen ditën e shtunë dhe të diel.

    Të kompensohen ditët e mbetura të Ramazanit para se të agjërohen gjashtë ditët e Shevalit (apo çdo agjërimi vullnetar tjetër), është më e mirë dhe më parësore, sepse më shpejt e largon përgjegjësinë.

    – Praktikimi i agjërimit vullnetar pas Ramazanit ka shumë dobi, ndër to:

    Plotësimi i shpërblimit të agjërimit për një vit.

    Agjërimi i Shevalit dhe i Shabanit janë si sunetet e rregullta para dhe pas namazit farz.

    Kompensohet mangësia që ka ndodhur në agjërimin farz të Ramazanit. Gati e pamundshme është të mos ketë ndonjë mangësi në agjërim.

    Praktikimi i agjërimit vullnetar pas Ramazanit është shenjë e pranimit të tij, inshallah (në dashtë Zoti).

    Është një lloj i falënderimit të Allahut për mirësinë e agjërimit të Ramazanit.[2]

    – Më e mira për gruan është të nxitojë me agjërimin e Shevalit para se t’i vijnë menstruacionet. E, nëse për ndonjë arsye nuk mundet t’i agjërojë brenda muajit Sheval, i lejohet t’i agjërojë ditët e Shevalit në muajin Dhulkade i cili vjen pas muajit Sheval.[3]

    – Disa dijetarë thanë: “Nuk e ka shpërblimin e njëjtë agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit në muajin Dhulkade sikur agjërimi i tyre në Sheval[4], megjithatë shpresohet për atë grua që ka pasur arsye, të fitojë shpërblimin mbështetur në hadithin: “Kur robi sëmuret apo është udhëtar, atij i shkruhen shpërblimet, sikurse të ketë qenë vendas dhe i shëndoshë”[5]

    – Kompensimi i ditëve të mbetura të Ramazanit për gruan është borxh ndaj Allahut që bie mbi supet e saj, andaj:

    I jepet përparësi agjërimit të ditëve të mbetura para ditëve të Shevalit, sepse kështu e kryen më shpejt borxhin dhe është më e sigurt. Farzi është më i dashur tek Allahu.

    Nxitimi në kompensimin e ditëve të mbetura është më e lehtë për shpirtin; ai është mësuar me agjërim dhe në ato ditë ka ambient agjërimi, shkaku i atyre që i agjërojnë gjashtë ditët e Shevalit.

    Gruaja e cila ka ditë të paagjëruara prej Ramazanit të mëhershëm, i jep përparësi agjërimit të atyre ditëve para agjërimit të ditëve të paagjëruara nga Ramazani i fundit.

    Lejohet agjërimi i ditëve të bardha dhe i ditës së hënë dhe të enjte, nëse e ka pasur zakon, me një nijet të përbashkët me gjashtë ditët e Shevalit dhe kështu shpresohet t’i arrijë të dyja shpërblimet. Atij që i kanë mbetur ditë nga Ramazani të paagjëruara dhe dëshiron t’i agjërojë në ditën e hënë dhe të enjte apo në ditët e bardha, lejohet t’i agjërojë, por me nijet për agjërimin farz. Nëse e ka pasur zakon t’i agjërojë këto ditë me vlerë, shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit farz dhe shpërblimin e agjërimit vullnetar. Mirësia e Allahut është e gjerë.[6]

    Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është nga agjërimi vullnetar i përcaktuar, andaj ai që do të arrijë shpërblimin e saj, duhet ta bëjë nijetin natën. Nëse e bën nijetin gjatë ditës, agjërimi i tij është në rregull, por si agjërim vullnetar i përgjithshëm dhe jo agjërim i gjashtë ditëve të Shevalit, nëse paraprakisht nuk ka vepruar diçka nga gjërat që e prishin agjërimin. Shpërblimin në këtë rast e merr prej momentit që fillon me agjërim.[7]

    Ndërsa për agjërimin e ditëve të mbetura nga Ramazani, nijeti patjetër duhet të bëhet natën (deri në kohën e imsakut), sepse është agjërim farz.

    [1]Muslimi (1164).

    [2] Lataiful Mearif (fq. 244).

    [3] Fetava Ibn Uthejmin (20/19).

    [4] Ka mendime të ndryshime për sa i përket kompensimit të gjashtë ditëve të Shevalit në Dhulkade, disa dijetarë e shohin se agjërimi i saj në Dhulkade është njëlloj si në Sheval, disa thonë se nëse agjërohen në Dhulkade, ka shpërblim, mirëpo jo si në Sheval e disa thonë se nëse nuk mund të plotësohet agjërimi në Sheval me arsye, shpresohet për agjëruesin t’i marrë shpërblimet. Dijetari Ibën Baz, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ligjërohet kompensimi i tyre pasi të kalojë Shevali, sepse agjërimi i tyre është sunet dhe koha e tyre ka ikur, pavarësisht a i ka lënë me arsye apo pa arsye.” Njashtu tha për atë që i agjëron katër ditë nga ditët e Shevalit dhe nuk i plotëson të gjashtat me arsye: “Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është adhurim i preferuar dhe jo i detyruar dhe ti e merr shpërblimin për ato ditë që i agjëron në të dhe shpresohet ta marrësh shpërblimin e plotë nëse ka pasur pengesë dhe arsye që të kanë penguar ta plotësosh deri në fund, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kur robi sëmuret apo është udhëtar, atij i shkruhen shpërblimet, sikurse të ketë qenë vendas dhe i shëndoshë” (Buhariu). Andaj, nuk duhet t’i kompensosh ditët që të kanë mbetur. (Mexhmua fetava Ibën Baz, 15/389, 395). Burimi: https://islamqa.info/ar/83292 (sh.p.)

    [5] Buhariu prej hadithit të Ebu Musa el-Esharij h. Fetava Ibn Baz (15/395).

    [6] Kështu na mësoi dijetari ynë i nderuar Abdurrahman el-Berak, Allahu e ruajttë! (sh.a.)

    [7] Fetava Ibn Uthejmin (19/184).

     

    Dr.Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë nga libri: “Zahireja e agjëruesit”

  • AGJËRIMI I GJASHTË DITËVE TË SHEVALIT

    AGJËRIMI I GJASHTË DITËVE TË SHEVALIT

    1. Muaji Sheval[1] është muaj i bekuar. Është muaj i adhurimit dhe me të fillojnë muajt e haxhit[2]. Pëlqehet agjërimi i gjashtë ditëve të tij dhe njashtu preferohet kompensimi i itikafit[3] për atë që nuk e pati mundësinë të qëndrojë në itikaf gjatë Ramazanit. Shevali është muaj i aktit të martesës (niqahut) dhe ruajtjes së nderit në hallall.[4]
    2. Myslimani, pasi ta agjërojë muajin e Ramazanit, ligjërohet t’i agjërojë edhe gjashtë ditë nga Shevali. Agjërimi i gjashtë ditëve është sunet i pëlqyer dhe jo detyrim, e kanë vlerën e madhe dhe shpërblimin e madh.
    3. Ai që pas muajit Ramazan i agjëron edhe gjashtë ditë nga Shevali, i shkruhet shpërblimi i agjërimit të një viti të plotë, ashtu siç erdhi në hadith ku Profeti ﷺ tha: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali, është njëlloj sikur ka agjëruar tërë vitin.”[5]
    4. Profeti ﷺ e sqaroi kuptimin e hadithit të lartpërmendur dhe tha: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit, është sikur ka agjëruar dhjetë muaj, dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pas Fitër Bajramit është sikur ka agjëruar dy muaj. Kështu, plotësohet një vit: ‘Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish’.” (El-Enam: 160)”[6]
    5. Nëse dikush pyet: Pasi agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit shumëfishohet me dhjetë syresh sikur shumëfishohen në përgjithësi të mirat, atëherë cili është privilegji i agjërimit të gjashtë ditëve?

    I përgjigjemi: Dijetarët e shkollës juridike hanbelite dhe shafiite deklaruan se agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pasi të agjërohet Ramazani është ekuivalent me agjërimin e një viti agjërim të detyruar.[7]

    1. Nga dobitë e agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit është plotësimi i mangësisë që ka ndodhur në agjërimin e detyruar të Ramazanit, ashtu siç përcillet në hadith: “Gjëja e parë nga veprat që robi do të japë llogari ditën e Kiametit është namazi i tij, nëse atë e ka në rregull, fiton dhe shpëton e, nëse atë nuk e ka në rregull, dështon dhe humb. Nëse ka diçka mangësi në namazin e detyruar, Allahu do t’u thotë melekëve shikoni se a ka robi Im diçka nga namazet vullnetare dhe me to t’i plotësohen mangësitë e namazeve të detyruara. Pastaj kështu vazhdon llogaritja e veprave të tjera.”[8]
    2. Përcillet për disa dijetarë se agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit e konsideruan të urryer, me pretekst se ekziston frika që disa nga myslimanët të mendojnë se ato janë pjesë e Ramazanit.

    Mirëpo, më meritor dhe më i drejtë të ndiqet është suneti i vërtetë profetik dhe nuk braktiset suneti për mendimin e ndokujt, kushdo qoftë ai, dhe arsyetimet e tyre “nuk mund ta kundërshtojnë sunetin e vërtetë dhe ata që e dinë argumentin kanë përparësi të pasohen karshi atyre që nuk e dinë.”[9]

    1. Për ta larguar sa më shpejt përgjegjësinë para Allahut, më mirë është të fillohet me kompensimin e ditëve të humbura të Ramazanit, andaj ai që nuk e ka agjëruar me arsye ndonjë ditë të Ramazanit, le të përshpejtojë ta kompensojë dhe ta lajë borxhin e tij. Kompensimit i jepet prioritet para veprave vullnetare nga pikëpamja e përgjithshme.
    2. Kush e dëshiron shpërblimin e cekur në hadith, fillimisht le t’i kompensojë ditët e humbura të Ramazanit e pastaj le t’i agjërojë gjashtë ditët e Shevalit[10].

    Fjala e Profetit ﷺ: “dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali” dukshëm aludon në atë se fillimisht plotësohet agjërimi i Ramazanit e pastaj agjërohen gjashtë ditët e Shevalit, “sepse pasimi i agjërimit të Ramazanit me gjashtë ditët e Shevalit, siç ka ardhur në hadith, mund të realizohet vetëm nëse është plotësuar agjërimi i muajit Ramazan.”[11]

    1. Nuk lejohet kompensimi i ditëve të humbura të Ramazanit së bashku me gjashtë ditët e Shevalit me një nijet të përbashkët. Ai që me arsye e ka prishur agjërimin e Ramazanit nuk lejohet që agjërimin vullnetar të gjashtë ditëve dhe kompensimin e ditëve të humbura të Ramazanit t’i agjërojë me një nijet të përbashkët.
    2. Lejohet që gjashtë ditët të agjërohen pa shkëputje apo veç e veç brenda muajit Sheval, sipas mundësive që i ka agjëruesi, nëse i vonon deri në fund të muajit, nuk është problem e, në veçanti, për atë që i shkojnë mysafirë apo bashkohet për ndejë me të afërmit e tij për Bajram dhe ditët pas. Në këtë çështje ka hapësirë.
    3. Lejohet që agjërimi i ditëve të bardha dhe ditës së hënë dhe të enjte, të agjërohen me një nijet të përbashkët me gjashtë ditët e Shevalit dhe kështu të shpresohet që agjëruesi t’i arrijë të dyja shpërblimet.

    I këtij mendimi është edhe dijetari Abdulaziz ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: “Shpresohet që agjëruesi ta arrijë shpërblimin e dy agjërimeve, sepse atij i llogaritet edhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit, po edhe i ditëve të bardha. Mirësia e Allahut është e madhe dhe e gjerë.”

    “Ai që i agjëron gjashtë ditët e Shevalit dhe tri ditët e bardha me një nijet të përbashkët, e merr shpërblimin e dy agjërimeve .”[12]

    1. Nëse agjërimi i gjashtë ditëve bie në ditën e shtunë, agjëruesi lejohet ta agjërojë këtë ditë, sepse ai nuk e veçon ditën e shtunë me agjërim, por e agjëron ngase është pjesë e agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit.
    2. Kujt i ka mbetur Ramazani pa agjëruar dhe kompensimi i tij e përfshin krejt muajin Sheval, sikurse gruaja në periudhën e lehonisë, ajo gjashtë ditët e Shevalit i agjëron në muajin Dhulkade që vjen pas Shevalit, dhe shpërblimi i saj do të jetë sikurse i ka agjëruar në Sheval, sepse vonimi në këtë rast ka qenë me arsye dhe i detyrueshëm[13]. I këtij mendimi është dijetari Ibën Uthejmini dhe Ibën Sa’dij, Allahu i mëshiroftë![14]
    3. Kujt i kanë mbetur ditë për t’i kompensuar nga Ramazani dhe nuk i agjëron pa asnjë arsye në Sheval, për të nuk ligjërohet që gjashtë ditët e Shevalit t’i kompensojë në Dhulkade dhe nuk e arrin shpërblimin, sepse agjërimi i gjashtë ditëve është sunet dhe me përfundimin e muajit, ka ikur koha e vet pa arsye.
    4. Nga besimet e kota dhe jo të drejta është besimi i disave se ai që i agjëron gjashtë ditët e Shevalit në ndonjë vit, më pas detyrohet t’i agjërojë për çdo vit që vjen.

    Kjo nuk është e vërtetë, sepse agjërimi i gjashtë ditëve është sunet, kushdo i agjëron dhe për të shpërblehet. Ai që i agjëron gjashtë ditët një herë apo më shumë herë, më pas nuk detyrohet të vazhdojë t’i agjërojë për çdo vit dhe nuk merr mëkat nëse nuk i agjëron.

    1. Disa besojnë se kush fillon me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit është i detyruar t’i plotësojë ato derisa t’i përfundojë dhe nuk arsyetohet nëse i ndërpret apo nuk i agjëron të gjashtat.

    Kjo nuk është e vërtetë sepse në hadith është cekur: “Ai që agjëron vullnetarisht është udhëheqësi i vetes, nëse do, agjëron e, nëse do, nuk agjëron.”[15]

    Agjëruesi mund ta ndërpresë agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit, me arsye apo pa arsye, dhe nuk detyrohet kompensimi i tyre sipas mendimit më të saktë, por i ikën shpërblimi i përmendur në hadith i cili nuk arrihet përveçse me plotësimin e agjërimit të Ramazanit duke e pasuar atë me gjashtë ditët e Shevalit.

    1. Nga risitë që nuk kanë bazë në fe është festimi i ditës së tetë nga Shevali, pasi plotësohen gjashtë ditët me agjërim. Këtë ditë dhe festë e quajnë si “dita e punëmirëve.”

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dita e tetë e Shevalit nuk është festë, as e punëmirëve dhe as e punëkëqijve, dhe nuk i lejohet askujt të besojë se kjo ditë është festë dhe të shpikë në të diçka nga ritet e festave.”[16]

    1. Nga risitë është abstenimi nga martesa në muajin Sheval, me pretekst të parandjenjës së keqe për fatin e martesës. Arabët muajin Sheval e llogaritnin ndjellakeq dhe ogurzi për martesë dhe besonin se gruaja në këtë muaj duhet të abstenojë nga burri i saj, sikurse abstenon femra e devesë kur mbetet me barrë dhe e ngre bishtin e saj.

    Profeti ﷺ e prishi këtë besëtytni të tyre dhe u martua me Aishen i në muajin Sheval dhe hyri dhëndër me të në muajin Sheval.[17]

    1. Pëlqehet martesa, të martuarit dhe hyrja dhëndër në muajin Sheval, duke e ndjekur kështu traditën e Profetit ﷺ dhe duke e kundërshtuar besimin e kotë të periudhës para Islamit që e kishin, të cilët besonin se martesa është ogurzezë dhe ndjellakeqe në Sheval. Besimtari pëlqehet ta ndjekë këtë traditë profetike e, në veçanti, nëse ky besim i kotë është i përhapur dhe i shpërndarë në shoqëri.

    Aisha i e pëlqente që gratë të martoheshin me burrat e tyre në muajin Sheval.[18]

    1. Nga bindjet e kota është besimi i disave se kush martohet në mes dy bajrameve, Fitër dhe Kurban Bajram, njëri nga dy bashkëshortët do të vdesë apo do të vijë deri te ndarja me njëri-tjetrin.

    Ky besim është i kotë dhe nuk ka bazë askund në fe. Është pretendim i njohjes së të ardhmes dhe të së fshehtës, që nuk e di askush përveç Allahut, dhe është njollosje e imanit në caktimin e Allahut dhe është parandjenjë e keqe e ndaluar dhe ogurzezë.

    Martesa e Profetit ﷺ me Aishen i është argument i qartë dhe kundërshtim i këtij besimi të kotë.

    E lusim Allahun që veprën ta pranojë dhe të na ndihmojë që ta përmendim Allahun, ta falënderojmë dhe ta adhurojmë ashtu si është më e mira!

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Pjesë e librit : “Udhërrëfyes për muajin e Ramazanit”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

    [1] Muaji Sheval është muaji i dhjetë sipas kalendarit hixhri dhe vjen pas muajit Ramazan. (sh.p.)

    [2] Muajt e haxhit janë muaj Sheval, Dhulkade dhe dhjetë ditët e Dhulhixhes. Muajt e haxhit Allahu i bëri sezon nga ku fillojnë ritet e haxhillëkut. Allahu tha: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar.” (El-Bekare: 197). Shejh Salih el Feuzan, Allahu e ruajttë, thotë: “Të caktuara janë për shkak se njerëzit i njohin prej kohës së Ibrahimit n dhe Ismailit n dhe nuk ka nevojë për qartësimin e saj sikurse nevojitet qartësimi i kohës së agjërimit dhe namazit.” (Hutbe me titull: Muajt e Haxhit dhe vlera e tyre – Shejh Feuzan) (sh.p.)

    [3] Itikaf do të thotë qëndrimi në xhami me nijet adhurimi dhe përmendje të Allahut. Është sunet si për burra ashtu edhe për gra dhe itikafi ligjërohet të bëhet gjatë tërë vitit, mirëpo ajo më e pëlqyera është në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Atij që me arsye i ka ikur itikafi në fund të Ramazanit, preferohet ta kompensojë në Sheval. Profeti ﷺ i ndodhi një herë t’i ikte itikafi në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit dhe atë e kompensoi në fillim të Shevalit. (Buhariu dhe Muslimi). (sh.p).

    [4] Arabët muajin Sheval e llogarisnin ndjellakeq dhe ogurzi për martesë, prandaj Profeti ﷺ u martua dhe hyri dhëndër në Sheval, që t’ua bëjë me dije se ato janë besëtytni dhe nuk kanë të bëjnë me realitet. Pra, nga suneti është martesa në Sheval e, sidomos, nëse ato bindje të kota janë të përhapura në shoqëri. (sh.p.)

    [5] Muslimi (1164).

    [6] Imam Ahmedi (22412), Ibën Maxheh (1715), Ibën Huzejme (2115), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [7] Ky shpërblim vjen shkaku se një e mirë shpërblehet me dhjetë, kështu që për një muaj agjërim shpërblehet sikurse të ketë agjëruar dhjetë muaj ose sikurse të ketë agjëruar diku 295 apo 296 ditë (shkaku se muajt hixhri janë 29 dhe 30 ditë), dhe për gjashtë ditë agjërim të Shevalit shpërblehet sikurse të ketë agjëruar dy muaj agjërim ose diku 59 ose 60 ditë (shkaku se muajt hixhri janë 29 dhe 30 ditë). Kjo i bie që për një muaj agjërim të Ramazanit dhe për gjashtë ditë të Shevalit shpërblehet sikurse të ketë agjëruar një vit të plotë (hixhri – i cili i ka 355 ditë ose 354 ditë e 8 orë e 48 minuta përafërsisht), sepse një e mirë shpërblehet me dhjetë. Profeti ﷺ tha: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali, është njëlloj sikur ta ketë agjëruar tërë vitin.” Muslimi (1164). Profeti ﷺ e sqaroi kuptimin e hadithit të lartpërmendur dhe tha: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit, është sikur të ketë agjëruar dhjetë muaj, dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pas Fitër Bajramit është sikur të ketë agjëruar dy muaj. Kështu, plotësohet një vit: “Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish” (El-Enam: 160.)” Imam Ahmedi (22412), Ibën Maxheh (1715), Ibën Huzejme (2115), shejh Albani hadithin e saktësoi. (sh.p.)

    [8] Ebu Davud (864), Et-Tirmidhij (413), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [9] El-Lexhneh Ed-Daimeh (10/390).

    [10] Disa dijetarë e lejojnë që njëherit të agjërohen gjashtë ditët e Shevalit, e pastaj të kompensohen ditët e humbura të Ramazanit, edhe pse normalisht më së miri është që një herë të kompensohen ditët e Ramazanit e pastaj të agjërohen ditët e Shevalit. Tek hanefitë lejohet pa urrejtje, kurse te malikitë dhe shafiitë, edhe pse lejohet, prapë urrehet të fillohet një herë me agjërimin e gjashtë ditëve para kompensimit të Ramazanit, kurse hanbelitë e ndalojnë që të fillohet me gjashtë ditët para kompensimit të Ramazanit. Shih: https://ar.islamway.net/fatwa/3366/ dhe http://fatwa.islamweb.net/fatwa/index.php?page=showfatwa&lang=&Option=FatwaId&Id=3718. (sh.p).

    [11] El-Lexhneh Ed-Daimeh (10/392).

    [12] Ibën Uthejmini.

    [13] Ka mendime të ndryshime për sa i përket kompensimit të gjashtë ditëve të Shevalit në Dhulkade, disa dijetarë e shohin se agjërimi i saj në Dhulkade është njëlloj si në Sheval, disa e shohin se, nëse agjërohen në Dhulkade, ka shpërblim, mirëpo jo si në Sheval, disa e shohin se, nëse nuk mund të plotësohet agjërimi në Sheval me arsye,  shpresohet për agjëruesin t’i marrë shpërblimet. Dijetari Ibën Baz, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ligjërohet kompensimi i tyre pasi të kalojë Shevali, sepse agjërimi i tyre është sunet dhe koha e tyre ka ikur, pavarësisht a i ka lënë me arsye apo pa arsye.” Njashtu tha se për atë që i agjëron katër ditë nga ditët e Shevalit dhe nuk i plotëson të gjashtat me arsye: “Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është adhurim i preferuar dhe jo i detyruar dhe ti e merr shpërblimin për ato ditë që i agjëron në të dhe shpresohet të marrësh shpërblimin e plotë nëse ka pasur pengesë dhe arsye që të kanë penguar ta plotësosh deri në fund, bazuar në hadithin e Profetit ﷺ i cili tha: “Kur robi sëmuret apo është udhëtar, atij i shkruhen shpërblimet, sikurse ka qenë vendas dhe i shëndoshë.” (Buhariu). Andaj, nuk duhet t’i kompensosh ditët që të kanë mbetur. (Mexhmua fetava Ibën Baz, 15/389, 395). Burimi: https://islamqa.info/ar/83292 (sh.p.)

    [14] El-Fetava es-Sa’dijeh (fq. 230), Mexhmua fetava Ibën Uthejmin (20/19).

    [15] Imam Ahmedi (26893), Et-Tirmidhij (732), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [16] El-Ihtijarat el-Ilmije.

    [17] Muslimi (1433).

    [18] Muslimi (1423).

  • Bajrami i Fitri (Shenjat e Bajramit dhe të Ramazanit) [HUTBE]

    Bajrami i Fitri (Shenjat e Bajramit dhe të Ramazanit) [HUTBE]

    الحمد الله الذي بنعمته تتم الصالحات

    الحمد الله الذي أكمل الدين ورضي بالإسلام دينا

    الحمد الله القائل:

    ﴿وَقُلِ ٱلۡحَمۡدُ لِلَّهِ ٱلَّذِي لَمۡ يَتَّخِذۡ وَلَدٗا وَلَمۡ يَكُن لَّهُۥ شَرِيكٞ فِي ٱلۡمُلۡكِ وَلَمۡ يَكُن لَّهُۥ وَلِيّٞ مِّنَ ٱلذُّلِّۖ وَكَبِّرۡهُ تَكۡبِيرَۢا١١١﴾

    الله أكبر   الله أكبر    لا إله إلا الله     والله أكبر    الله أكبر    ولله الحمد

     

    Pejgamberi ﷺ  na i mësoi të gjitha detajet e Bajramit. Prej tyre ka gjëra të mëdha e të vogla. Prej gjërave të mëdha të Bajramit është se namazi i Bajramit është dyrekatësh, pa ezan e pa ikamet, ndërsa pas namazit e kemi hutben ose ligjëratën e Bajramit.

    Pra, ditën e Bajramit, këtë ditë më të gëzuar të vitit, ne e fillojmë me ligjëratë ose me porosi fetare, gjë që aludon çfarë rëndësie ka ligjërata fetare, çfarë rëndësie ka këshilla dhe porosia në Islam. Pra, ne, edhe në ditë gëzimi, mësojmë diç të re dhe dëgjojmë diç të mirë. Ne edhe gëzimin duhet ta bëjmë me balancë, gëzim së bashku me porosi e me dije.

    Së këndejmi, ai që e fillon ditën e Bajramit me namaz e me hutbe, themi se ditën e ka nisur mbarë.

    Pjesëmarrja masive në Bajram: Pejgamberi ﷺ  namazin e Bajramit e falte në hapësirë, e jo në xhami. Aty, përveç burrave e fëmijëve, Pejgamberi ﷺ  i urdhëronte edhe gratë që të marrin pjesë. Sigurisht, gratë rrinin mbrapa burrave, gjë që dëshmon unitetin tonë, afërsinë që duhet ta kemi. Uniteti ynë, bashkimi ynë e gëzon Zotin dhe neve na e shton gëzimin, ndërsa uniteti ynë armikut i shton vetëm dhembje.

    Pejgamberi ﷺ  në ditën e Bajramit, gjatë vajtjes për ta falur Bajramin, shkonte përmes një rruge, kurse kthimin e bënte përmes një rruge tjetër. Me këtë shtoheshin lëvizjet e kallaballëku dhe shpërndahej gëzimi edhe më shumë.

    Pejgamberi ﷺ  çështjen e unitetit të besimtarëve nuk e kishte vetëm fjalë goje, porse ai kishte vepra. Zekati i fitrit është obligim para Bajramit, ashtu që të mos ketë dallime në Bajram: të festojnë të pasurit, kurse ata që nuk i kanë kushtet e mira të shikojnë. Jo! Ti që e ke kushtet e mira, jepi atij që nuk ka dhe kështu të gjithë së bashku kemi çfarë të festojmë dhe kemi me se t’i presim mysafirët.

    I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Besimtarët, kur është fjala për mëshirën, dashurinë dhe ndihmën ndaj njëri-tjetrit, janë sikurse një trup: kur një gjymtyrë e trupit sëmuret, i gjithë trupi rënkon nga sëmundja me pagjumësi dhe zjarrmi.”[1]

    Kështu pra, ne e ndajmë së bashku gëzimin, e edhe mërzinë.

    Madje, gënjeshtra e cila është e ndaluar dhe shumë e shëmtuar, lejohet në rast pajtimi mes hasmëve, ndërsa fjalët, edhe nëse janë të vërteta, por barten për të prishur besimtarët mes vete, janë të ndalura dhe njihen si nemime.

    Prej shenjave të pranimit të agjërimit të Ramazanit është vazhdimi me vepra të mira pas tij.

    Mysafirët tanë, kur kthehen në vendet e tyre të largëta, a ndodh që ne t’i shkëpusim të gjitha lidhjet?! Jo, por ne kontaktojmë me ta dhe i mbajmë lidhjet përmes telefonatave. Kështu ne i mbajmë lidhjet me agjërimin, përmes adhurimit vullnetar të ditëve të vlefshme.

    Edhe pse nuk i kemi teravitë, ne i kemi xhamitë dhe i mbajmë lidhjet me to. Është shumë e keqe që lidhjet të cilat i ndërtojmë me Allahun, këta litarë të fuqishëm, t’i shkëpusim pas Ramazanit.

    Madje, edhe në çështjet e dynjasë, gjërat e kundërta vetëm se prishin punë. E keni parë nëse qesim ujë të ngrohtë në një gotë dhe menjëherë i qesim ujë të ftohtë, gota kriset. Po ashtu, zemra, e cila është ushqyer me vepra të mira, nëse menjëherë e mbushim me punë të liga, ajo prishet.

    Prandaj, edhe ne medoemos na duhet t’u kushtojmë rëndësi veprave të mira e të mos i ndërpresim ato. Është shumë normale që të mos ecim me të njëjtën shkallë sikurse në Ramazan, por jo të biem në gjërat me të cilat nuk është i kënaqur Zoti ynë.

     

    Pjesa e dytë e hutbes

    Pejgamberi  ﷺ  ka thënë: “Agjëruesi ka dy gëzime: gëzohet kur bën iftar dhe gëzohet kur të takohet me Zotin e vet.”[2]

    Secili prej nesh e ka provuar urinë, qoftë dhe pak, ose etjen, ose është lodhur, ose ka ndier kokëdhembje etj. Mirëpo, në momentin që bën iftar, i ha dy-tri hurma, pi një gotë me ujë, e harron sakaq tërë atë lodhje, tërë atë uri dhe etje.

    Kështu, kjo është vetëm një skenë e shkurtër për atë që do të ndodhë në ahiret. Tërë lodhjet, sprovat, brengat, sëmundjet, borxhet, dhimbjet e kësaj bote do t’i harrojë besimtari, i cili ka besuar dhe ka bërë vepra të mira, posa të takohet me Zotin e tij, me Mëshiruesin, me Atë që na ka premtuar vetëm falje dhe mirësi.

    Pra, mbetet ajo që po e kërkon Allahu prej nesh, që është besimi dhe veprat e mira, ndërsa tërë dhembjet e kësaj dynjaje do të harrohen në momentin që të takohemi me Të.

    [1] Buhariu nr.6011.

    [2] Buhariu nr. 7492.

    Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

  • BAJRAMI

    BAJRAMI

    1. Bajrami është rit islam, në të paraqiten pamjet e nënshtrimit dhe përuljes ndaj Allahut si dhe shumë nga kuptimet shoqërore dhe shpirtërore.
    2. Në arabisht Bajrami quhet ‘Id, që do të thotë se kthehet dhe përsëritet, dhe për çdo vit kthehet i ripërsëritur me gëzim. Po ashtu, thuhet se është emërtuar me këtë emër me shpresë që ajo (festa) t’i përsëritet atij që e përjetoi. Është emërtim i tubimit vjetor që përsëritet në formë të zakonshme.
    3. Festat janë rite që gjenden te çdo popull dhe festimi i tyre ndërlidhet me instinktin dhe natyrshmërinë e ngulitur në shpirtin e njeriut. Njerëzit në festa tubohen dhe e paraqesin gëzimin dhe lumturinë.
    4. Festat tona janë përmendje të Allahut dhe gëzim me begatinë e Allahut: “Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Junus: 58.), ndërsa festat e të tjerëve janë idhujtari, femohim dhe mëkatim.
    5. Festat tona janë statike, të caktuara me argument nga Allahu, prandaj myslimanët në dynja nuk festojnë përveç tri festave:

    – Festa që përsëritet për çdo javë, kjo është dita e xhumasë.

    – Dy festa që vijnë për çdo vit nga një herë, ato janë Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami.

    Enesi h përcjell se kur erdhi i Dërguari i Allahut ﷺ në Medine, i gjeti banorët e saj duke i festuar dy festa, në të cilat argëtoheshin dhe dëfreheshin, dhe u tha: “Çfarë festash janë këto?!” – I thanë: “ Në periudhën para Islamit i festonim këto dy festa dhe argëtoheshim në to!” – I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Allahu jua zëvendësoi këto dy festa me dy të tjera më të mira se këto, Kurban Bajramin dhe Fitër Bajramin.”[1]

    1. Festat e myslimanëve janë nga ritet e Allahut që duhet të ngjallen, të kuptohet synimi i tyre dhe të ndihet kuptimi i tyre. Fjala e të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Çdo popull i ka festat e veta dhe kjo është festa jonë”[2], aludon në atë se myslimanët i kanë dy festa, jo më shumë, dhe atyre nuk u lejohet t’u përngjasojnë jobesimtarëve dhe idhujtarëve në diçka që është e veçantë për festat e tyre.
    2. Festat e myslimanëve janë që të afrojnë tek Allahu. Në to madhërohet Allahu, paraqitet gëzimi dhe lumturia për begatinë e dhënë dhe si festa janë të lidhura ngushtë me adhurime të mëdha.
    3. Fitër Bajrami vjen me përfundimin e muajit të agjërimit dhe të teravive, a Kurban Bajrami bie në mes të riteve të mëdha të haxhit dhe para tij është dita e Arafatit, dita më e mirë nga të gjitha ditët e vitit. Të dyja festat janë të lidhura me një shtyllë prej shtyllave të Islamit, që nënkupton se festat tona vijnë pas përfundimit të adhurimit të Allahut, Zotit të botëve.
    4. Një nga veprat e mëdha të ditës së Fitër Bajramit është nxjerrja e zekatit të fitrit para se të falet namazi i Bajramit. Zekati i fitrit është pastrim për agjëruesin dhe ushqim për të varfrin.[3]
    5. Ndalohet agjërimi në ditën e Bajramit, duke u bazuar në hadithin që e përcjell Ebu Seid el-Hudrij h se i Dërguari i Allahut ﷺ ndaloi të agjërohen këto dy ditë, Dita e Fitër Bajramit dhe Dita e Kurban Bajramit.[4]
    6. Një ndër sunetet e mëdha të ditës së Bajramit është tekbiri. Allahu tha: “Ai dëshiron që ta plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare: 185)
    7. Ligjërohet tekbiri i papërcaktuar[5] në Fitër Bajram, prej perëndimit të diellit të natës së Bajramit e deri kur imami del për ta falur namazin.[6]
    8. Tekbiri në Kurban Bajram është i papërcaktuar dhe i përcaktuar:

    Tekbiri papërcaktuar shqiptohet në çdo kohë, çdo gjendje dhe çdo vend dhe përfundon ditën e katërt të Bajramit me perëndimin e diellit.

    Tekbiri i përcaktuar shqiptohet pas namazeve farz. Fillon prej namazit të sabahut në ditën e Arafatit e deri në ditën e katërt të Bajramit pas farzit të namazit të ikindisë.

    1. Prej formave të tekbirit që përcillen prej të parëve tanë: “Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahi elhamd.” Është përcjellë edhe me tri tekbire d.m.th. tri herë të shqiptohet Allahu ekber.

    Prej formave të tjera që përcillen është edhe: “Allahu ekber kebiren, Allahu ekber kebiren, Allahu ekber ue exhel’l, Allahu ekber ue lilahi el hamd”

    Dhe disa në fund e shtuan edhe shtojcën: “Allahu ekberu ala ma hadana”

    1. Prej sunetit është që tekbiri të shqiptohet me zë të lartë, ngase nëpërmjet tyre paraqiten ritet e Islamit dhe rikujtohet tjetri. Pëlqehet që njerëzit të bëjnë tekbir në ditën e Bajramit, në xhami, në shtëpitë e tyre dhe nëpër rrugë, qofshin udhëtarë apo vendas.[7] Përcjell el-Farjabij me zinxhir të vërtetë prej Ebu Abdurrahman es-Sulemij se ka thënë: “Gjatë Fitër Bajramit ishin më të zëshëm me tekbir sesa gjatë Kurban Bajramit.”
    2. Unanimisht nuk ligjërohet tekbiri kolektiv, ku një grup njerëzish e fillojnë së bashku dhe e mbarojnë së bashku me një zë të vetëm nga fillimi e deri në fund, apo ndahen në dy grupe dhe njëri grup bën tekbir e tjetri i përgjigjet dhe i përsërit fjalët e grupit të parë. Kjo formë është e re në fe dhe bie në kundërshtim me udhëzimin e të parëve tanë të mirë.

    Mënyra e drejtë është që tekbiri të bëhet individualisht dhe, nëse ndodh që zërat të përputhen në mes vete, kjo nuk është problem nëse bëhet pa qëllim.

    1. Prej udhëzimit të Dërguarit të Allahut ﷺ në ditën e Bajramit ishte rregullimi, zbukurimi dhe parfumosja dhe veshja e rrobave të reja, prandaj edhe pëlqehet për burrat t’i veshin rrobat më të bukura që i kanë në posedim.
    2. Gruaja duhet të përkujdeset që të dalë e mbuluar sipas rregullave fetare dhe të mos veshë rroba të zbukuruara gjatë daljes së saj për te faltorja e Bajramit, bazuar në fjalët e të Dërguarit të Allahut ﷺ i cili tha: “Gratë le të dalin (për në xhami), mirëpo jo të zbukuruara.”[8] D.m.th. le të dalin me rrobat e tyre të zakonshme dhe jo rroba të lakuriqësisë dhe të mos dalin në rrugë të parfumosura, kurse burri nuk duhet të harrojë se ai është përgjegjës për familjen e tij dhe se ai do ta japë llogarinë para Allahut për kopenë e tij.
    3. Nga rregullat dhe etika e Bajramit është që myslimani t’ia urojë festën myslimanit me urim të bukur që përmban fjalë të bukura dhe të lejuara, çfarëdo qofshin ato. Kjo është nga virtytet e larta të moralit dhe nga shfaqja e mirësive shoqërore në mes të myslimanëve, si p.sh. urimi i njëri-tjetrit me fjalën: “Allahu na i pranoftë neve dhe juve (adhurimet dhe veprat e mira)”, apo “Urime Bajramin”, dhe të ngjashme me to nga fjalët e lejuara për urim.

    Shokët e Pejgamberit ﷺ kur takoheshin ditën e Bajramit ia uronin njëri-tjetrit duke thënë: “Allahu na i pranoftë neve dhe juve (adhurimet dhe veprat e mira).”[9]

    1. Namazi i Bajramit është nga ritet e mëdha të fesë. Për burrat të falet namazi është detyrim, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, sepse Pejgamberi ﷺ urdhëroi që të falet dhe, pas vdekjes së tij, katër halifët e vazhduan të njëjtën traditë.
    2. Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit. Preferohet që në Fitër Bajram namazi të vonohet disa minuta,[10] kurse të përshpejtohet në Kurban Bajram[11], duke e ndjekur traditën e Profetit ﷺ.
    3. Pëlqehet që trupi të pastrohet për namaz të Bajramit, siç përcillet nga Seid ibën el-Musejib, Allahu e mëshiroftë, i cili tha: “Veprat që pëlqehen në ditën e Bajramit janë tri: të ecurit në këmbë deri në faltoren e Bajramit, ngrënia para daljes nga shtëpia për në faltore dhe pastrimi i trupit.”

    Më mirë është që koha e pastrimit të jetë pas namazit të sabahut, po edhe nëse pastrohet para sabahut, bën dhe nuk është problem.

    1. Prej suneteve të braktisura është ngrënia para daljes për në namaz të Fitër Bajramit. Enesi h përcjell se Pejgamberi ﷺ në Fitër Bajram nuk dilte nga shtëpia derisa nuk hante hurma dhe numri i tyre ishte tek.[12]
    2. Ndërsa në Kurban Bajram prej suneti është që të mos hajë derisa të kthehet nga namazi, ta therë kurbanin dhe të hajë nga mishi i kurbanit të tij.

    Profeti ﷺ për Kurban Bajram nuk hante derisa e falte namazin e Bajramit.[13]

    Nëse myslimani nuk ka kurban për të therur “për të nuk ligjërohet të abstenojë nga ushqimi para namazit, dhe ai mundet të zgjedhë, nëse ha para se të dalë për në namaz, nuk i themi se e ke kundërshtuar sunetin me veprimin tënd.”[14]

    1. Pëlqehet që myslimani të shkojë sa më herët në faltoren e Bajramit [15] dhe të jetë sa më afër imamit në rreshtin e parë, kjo është më nxitëse për në vepra të mira dhe kjo ishte edhe tradita e shokëve të Pejgamberit ﷺ. Përcillet që Pejgamberi ﷺ dilte nga shtëpia për në faltore pas lindjes së diellit dhe, kur arrinte te faltorja, njerëzit vetëm se kishin ardhur më herët.
    2. Pëlqehet që myslimani të bëjë tekbir me zë të lartë duke shkuar rrugës për në faltoren e Bajramit. Përcillet se Pejgamberi ﷺ në Fitër Bajram bënte tekbir[16] që nga momenti kur dilte nga shtëpia derisa arrinte te faltorja dhe derisa fillonte me namazin e Bajramit.[17]

    Përcillet me një transmetim të saktë se Ibën Omeri k ditën e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit, bënte tekbir me zë të lartë qëkur dilte nga shtëpia e tij e derisa mbërrinte në faltore. Pas kësaj bënte tekbir derisa vinte imami dhe me ardhjen e imamit ndalej e, nëse imami bënte tekbir, edhe ai bënte tekbir.

    1. Pëlqehet që myslimani për në faltoren e Bajramit të shkojë në këmbë dhe të ecën i qetë. Ibën Omeri k përcjell se Pejgamberi ﷺ shkonte për në faltore në këmbë dhe kthehej në këmbë.”[18]
    2. Pëlqehet që të shkohet për në faltoren e Bajramit nga njëra rrugë dhe kthimi pas faljes së namazit të jetë nga rruga tjetër, kështu veproi i Dërguari i Allahut ﷺ . Urtësia qëndron në atë se rrugët do të dëshmojnë për atë që eci nëpër to dhe do të dëshmojnë banorët e saj nga njerëzit dhe xhindet, nëpër to do të paraqiten ritet e Islamit, do të shpresohet në ndryshimin e gjendjes drejt faljes dhe të kënaqurit e Allahut, dhe do t’i përshëndesë vëllezërit e tij myslimanë si dhe të afërmit.
    3. Nga sunetet e Bajramit është falja e namazit jashtë ndërtesave, nuk falet nëpër xhami, përveç në raste nevoje apo domosdoshmërie, sepse Pejgamberi ﷺ në vazhdimësi e falte atë në shkretëtirë dhe nuk e falte në xhaminë e tij, e që është xhamia më e mirë pas xhamisë së shenjtë në Meke.

    Dijetarët e veçojnë faljen e namazit të Bajramit në xhami vetëm për banorët e Mekes, sepse ata namazin e Bajramit e falin në xhaminë e shenjtë në Meke (el-Mesxhid el-Haram).

    1. Namazi i Bajramit falet nëpër qytete dhe fshatra dhe nuk ligjërohet të falet në shkretëtirë dhe në udhëtim, kështu ka ardhur në sunetin e Profetit ﷺ dhe nuk ka ardhur argument se Profeti ﷺ dhe sahabët j e kanë falur namazin e Bajramit në udhëtim apo në shkretëtirë.

    Profeti ﷺ kur e bëri haxhin e lamtumirës, atë vit dita e Arafatit ra në ditën e xhuma dhe namazin e xhumasë nuk e fali në Arafat dhe të nesërmen nuk e fali as namazin e Bajramit në Mina. Vitin kur u nis për ta çliruar Meken, udhëtoi për në Meke dhe aty qëndroi deri në fillim të muajit Sheval dhe aty e zuri Bajrami dhe nuk transmetohet se Pejgamberi ﷺ e fali namazin e Bajramit në të.[19]

    1. Për në faltore, përveç burrave, dalin edhe fëmijët, gratë dhe edhe ato që janë me menstruacione, që të prezentojnë në mirësinë dhe lutjet e myslimanëve. Ummu Atije i tha: “Jemi urdhëruar që në të dy bajramet, Fitër dhe Kurban Bajram, me ne grave të dalin edhe vajzat e reja dhe gratë me menstruacione dhe të prezentojnë në mirësinë dhe lutjet e myslimanëve, kurse gratë me menstruacione janë urdhëruar që mos t’u afrohen faltoreve (por të qëndrojnë pak anash vendfaljes së xhematit.’’[20]
    2. Namazi i Bajramit falet dy rekate dhe imami në to lexon me zë. Në rekatin e parë e merr tekbirin fillestar, e pas saj i merr edhe shtatë tekbire të tjera dhe më pas e lexon suren el-Fatiha dhe një sure tjetër apo disa vargje nga Kurani.

    Në rekatin e dytë ngrihet duke marrë tekbir dhe, pasi drejtohet në këmbë, i merr edhe pesë tekbire të tjera, e më pas e lexon suren el-Fatiha dhe një sure apo disa vargje nga Kurani.[21]

    Gjatë çdo tekbiri pëlqehet të ngrihen duart si në tekbirin fillestar.

    1. Përcillet se Abdullah ibën Mesudi h në mes të tekbireve të namazit të Bajramit e falënderonte dhe e lavdëronte Allahun dhe dërgonte salavate mbi Pejgamberin ﷺ.[22]
    2. I Dërguari i Allahut ﷺ përcillet se në dy bajramet në namaz e lexonte suren El’A’la në rekatin e parë dhe suren El-Gashije në rekatin e dytë.[23]

    Po ashtu përcillet se në rekatin e parë e lexoi suren Kaf dhe në rekatin e dytë El-Kamer.[24]

    1. Nëse vjen me vonesë ndokush nga xhemati dhe i lidhet imamit kur imami është duke i shqiptuar tekbiret shtesë, i shqipton edhe ai tekbiret me imamin dhe e pason atë në namaz dhe nuk detyrohet t’i kompensojë tekbiret e humbura, a, nëse i ikën rekati, e kompenson sipas mënyrës që falet.
    2. Namazi i Bajramit nuk ka ezan e as ikamet. Xhabir ibën Semureh h thotë se jam falur me Pejgamberin ﷺ në Fitër dhe Kurban Bajram, edhe atë jo vetëm një apo dy herë, dhe çdo herë e ka falur pa ezan dhe pa ikamet.[25]
    3. Imami një herë fillon me namaz e pastaj e mban hutben. Pejgamberi ﷺ hutben e hapte duke e falënderuar Allahun dhe nuk përcillet se hutben e hapte me tekbir, qoftë për Fitër apo Kurban Bajram.
    4. Hutbeja e Bajramit është sunet dhe prezenca apo dëgjimi i saj nuk është i patjetërsueshëm, sepse Pejgamberi ﷺ pasi e fali Bajramin, tha: “Kush do që të shkojë, le të shkojë dhe kush do që të qëndrojë dhe ta dëgjojë hutben, le të qëndrojë.”[26].
    5. Kujt i ikën namazi i Bajramit, mendimi më i saktë është se pëlqehet ta kompensojë namazin dhe ta falë në formën e vet, pra dy rekate, dhe pa hutbe pas saj.
    6. Kush del për ta falur namazin e Bajramit dhe i ikën namazi dhe e gjen imamin duke e mbajtur hutben, le të ulet ta dëgjojë imamin, e pastaj le ta falë namazin, kështu të bashkojë në mes dy dobive.
    7. Para dhe pas namazit të Bajramit nuk ka namaz nafile (vullnetar), ngase Pejgamberi ﷺ ditën e Bajramit e fali namazin e Bajramit dy rekate dhe nuk fali para apo pas namazit ndonjë namaz tjetër.[27]

    A, nëse e fal namazin e Bajramit në xhami, atëherë i fal dy rekate për xhaminë kur të hyjë në xhami.

    1. Nëse bie Bajrami ditën e xhumasë, atij që e ka falur Bajramin i lehtësohet që të mos e falë xhumanë, bazuar në fjalën e Pejgamberit ﷺ: “Sot në këtë ditë ju janë bashkuar dy festa, prandaj kush dëshiron të mos e falë namazin e xhumasë, i mjafton namazi i Bajramit. Po, gjithsesi ne do të falim edhe xhumanë.”[28]

    Nëse nuk e fal xhumanë, duhet ta falë namazin e drekës në kohën e vet në shtëpi, vetë apo me xhemat, e, nëse shkon për ta falur namazin e xhumasë, kjo është më e mirë.

    Nuk ligjërohet që namazi i drekës të falet nëpër xhami, madje nuk lejohet që në këtë ditë të hapen xhamitë e as të thirret ezani për namazin e drekës[29]. [30]

    1. Thënia se për atë që e fal Bajramin bie namazi i xhumasë dhe namazi i drekës, është gabim, që e kundërshton sunetin dhe mendim jo i drejtë dhe dijetarët e mohojnë atë.[31]
    2. Ai që nuk e fal namazin e Bajramit, për të nuk bie detyrueshmëria e faljes së namazit të xhumasë. Ai duhet të shkojë në xhami për ta falur xhumanë e, nëse brenda në xhami numri i xhematit nuk e arrin numrin e mjaftueshëm që e detyron namazin e xhumasë, atëherë e fal namazin e drekës.[32]
    3. Për imamin e xhamisë nuk bie detyrueshmëria e namazit të xhumasë, ai detyrohet ta falë atë, nëse në xhami vijnë numër i mjaftueshëm për xhuma, që nuk e kanë falur namazin e Bajramit apo e kanë falur Bajramin, mirëpo duan ta falin edhe xhumanë.[33]
    4. Nga etika dhe rregullat e Bajramit është respektimi i lidhjeve farefisnore me vizita, me dhurata, interesimi për ta me telefonata dhe afrimi i zemrave të njëri-tjetrit.
    5. Dita e Bajramit është ditë e nënshtrimeve dhe e afrimit tek Allahu me vepra të mira dhe ditë falënderimi ndaj Allahut për plotësimin e begatisë, nuk është ditë e mëkateve dhe veprimit të ndalesave. Nuk i ka hije një myslimani që Bajramin ta shndërrojë në ditë të bërjes së gjynaheve dhe organizimit të koncerteve muzikore dhe pirjes së alkoolit.[34]
    6. Nata e Bajramit nuk lejohet të veçohet nga netët e tjera të vitit me namaz nate, përveç për atë që e ka traditë namazin e natës gjatë netëve të tjera të vitit, në këtë rast nuk ka problem nëse ngrihet natën e Bajramit dhe fal namaz nate, kurse hadithet që kanë ardhur për vlerën e ngjalljes së natës të Bajramit me namaz nate nuk janë të sakta.
    7. Prej gabimeve që bëhen atë ditë është përzierja e grave me burra në faltoren e Bajramit apo edhe nëpër xhami. Kjo është sprovë për të dy gjinitë, kështu që burrat dhe të rinjtë është më mirë të largohen nga faltorja apo xhamia pasi të dalin gratë prej aty.
    8. Duhet përkujdesur që në ditën e Bajramit të ulet shikimi dhe të ruhet dëgjimi dhe shpirti nga harami.

    Njëri nga shokët e Sufjan eth-Theuriut, Allahu e mëshiroftë, tha: “Dola me të ditën e Bajramit dhe më tha: ‘Gjëja e parë që do të fillojmë me të sot është ulja e shikimit’.”

    Kur u kthye në shtëpi Hasan ibën Ebi Sinan, Allahu e mëshiroftë, nga falja e namazit të Bajramit, gruaja e tij i tha: “Sa gra të bukura rrugës i shikove?!” U përgjigj: “Prej kur dola e deri kur u ktheva në shtëpi nuk shikova, përveçse në gishtin e madh të këmbës.”

    1. Pëlqehet shfaqja e gëzimit me rastin e Bajramit, ndërsa dëfrimi dhe të kënaqurit e vetes dhe familjes e fëmijëve është i nevojshëm dhe i kërkuar, nëse në të nuk ka diçka që bie ndesh me parimet fetare.

    Aisha i thotë: “Ishte ditë Bajrami, ndërkohë që disa habeshinj (abisinas) po luanin me disa mburoja prej lëkure dhe me shtiza. Nuk më kujtohet se a e pyeta Pejgamberin ﷺ apo ai më tha:
    “A do të shohësh?”

    “Po” – i thashë. Ai më ngriti lart pas tij, derisa faqja ime e prekte faqen e tij, kurse Pejgamberi ﷺ thoshte: “Vazhdoni , o Beni Erfide.”[35]

    1. Lejohet që për Bajram fëmijëve t’u jepet hapësirë dhe mundësi për dëfrim dhe lojëra të lejuara, madje kjo llogaritet adhurim dhe afrim tek Allahu, sepse fut gëzim në shpirtrat e tyre dhe me një hadith të Pejgamberit ﷺ përcillet se ka thënë: “Qe ta dinë çifutët se në fenë tonë ka hapësirë për gëzim dhe se jam i dërguar me fe të pastër dhe tolerante.”[36]
    2. Bajrami është shkak dhe rast për gëzim. Në të duhet të shfaqen pamjet e gëzimit dhe diçka nga dëfrimi që e ka lejuar feja, si p.sh. gratë t’i bien defit.

    Aisha i thotë: “Ebu Bekri h hyri tek unë në shtëpi, ndërsa brenda dy vajza të reja në moshë (që nuk e kishin arritur moshën e pubertetit) po këndonin dhe i binin defit, ndërkohë Pejgamberi ﷺ e kishte mbuluar fytyrën me petk, kurse Ebu Bekri kur i pa ashtu u foli ashpër dhe Pejgamberi ﷺ e shpalosi fytyrën dhe i tha: ‘Lëri o Ebu Bekër! Këto ditë janë ditë feste’.”[37]

    Kjo aludon se lejohet që gratë t’i bien defit për Bajram dhe se lejohet këndimi me fjalë dhe poezi të lejuara fetarisht, mirëpo kjo assesi nuk aludon se lejohet përdorimi i muzikës dhe veglave dhe mjeteve muzikore për Bajram, ashtu si ceket nëpër argumente, përveç defit i cili u veçua në këtë rast.

    1. Po ashtu është vërtetuar se grave u lejohet t’i bien defit në ditët e Teshrikut (ditët e Teshrikut janë tri ditët vijuese pas ditës së parë të Kurban Bajramit, e të cilat janë: Dita e 11-të, e 12-të dhe e 13-të e muajit Dhulhixhe).

    Ngjarja që u cek në hadithin e mëparshëm të Aishes i ishte në ditët e qëndrimit në Mina. Në hadith përcillet se: “Ebu Bekri h hyri tek Aisha dhe brenda i pa dy vajza të reja në moshë (që nuk e kishin arritur moshën e pubertetit) po këndonin dhe i binin defit në ditët e qëndrimit në Mina.”[38]

    Ditët e qëndrimit në Mina janë ditët e Teshrikut.

    1. Në Bajram kanë filluar të përdoren disa lojëra të rrezikshme, që i dëmtojnë njerëzit nëpër rrugë apo shtëpitë e tyre, në to bëjnë pjesë raketat dhe fishekzjarrët, dhe largimi i tyre është çështje e patjetërsueshme. Këto gjëra e harxhojnë pasurinë, e dëmtojnë trupin, u pengojnë dhe u bëjnë zhurmë njerëzve nëpër shtëpitë e tyre.

    E lus Allahun që t’i zbukurojë ditët tona me adhurime ndaj Tij, të na i mbushë shtëpitë dhe zemrat tona përplot gëzim dhe lumturi me begatitë e Tij dhe t’i pranojë nga ne dhe nga myslimanët veprat e mira! Amin!

    Falënderimi i takon vetëm Allahut!

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Pjesë e librit : “Udhërrëfyes për muajin e Ramazanit”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

    [1] Ebu Davud (1134), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [2] Buhariu (952), Muslimi (298).

    [3] Këtu për qëllim është Fitër Bajrami, kurse në Kurban Bajram nuk jepet ndonjë lloj zekati, po preferohet të theret kurban, dhe koha e therjes fillon pasi të falet namazi i Bajramit, kurse kafsha që theret para se të falet namazi i Bajramit, është mish i thjeshtë dhe jo mish kurbani. (sh.p.)

    [4] Buhariu (1991), Muslimi (827).

    [5] Dijetarët tekbirin e ndajnë në të papërcaktuar dhe të përcaktuar. Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, thotë se dallimi mes dy llojeve të tekbirit është se tekbiri i papërcaktuar shqiptohet në çdo kohë, kurse ai i përcaktuar shqiptohet vetëm pas çdo namazi farz në Kurban Bajram. Koha e tekbirit të papërcaktuar në Kurban Bajram fillon me hyrjen e muajit Dhulhixhe e deri në ditën e katërt të Bajramit kur perëndon dielli, kurse në Fitër Bajram prej kur perëndon dielli ditën e fundit të muajit Ramazan dhe hyn nata e parë e muajit Sheval e deri kur të falet namazi i Bajramit. Kurse, tekbiri i përcaktuar siç e cekin dijetarët, fillon prej farzit të sabahut ditën e Arafatit e deri në ditën e katërt të Bajramit pas farzit të namazit të ikindisë. (Mexhmua Fetava ue resail, shejh Uthejmini, vëllimi 16, Kapitulli i Bajramit.) (sh.p.)

    [6] Kjo vlen për Fitër Bajram, kurse në Kurban Bajram tekbiri i papërcaktuar fillon me hyrjen e muajit Dhulhixhe e deri në ditën e katërt të Bajramit kur perëndon dielli, dhe në Kurban Bajram preferohet që prej namazit të sabahut në ditën e Arafatit e deri në namazin e ikindisë të ditës së katërt të Bajramit pas çdo farzi të bëhet tekbir, jashtë tekbirit të papërcaktuar. (sh.p.)

    [7] Kurse për Kurban Bajram e cekëm edhe më herët se preferohet prej ditës së parë të muajit Dhulhixhe e deri në ditën e trembëdhjetë të muajit Dhulhixhe apo ditën e katërt të Kurban Bajramit. (sh.p.)

    [8] Ebu Davud (565), shejh Albani e saktësoi në Sahih el-Xhami (7457).

    [9] Ibën Haxheri e vlerësoi zinxhirin e tij si të mirë në Fet’hul Barij 92/446).

    [10] Derisa njerëzve t’u jepet kohë për ta nxjerrë zekatin e fitrit. (sh.p.)

    [11] Kurse në Kurban Bajram preferohet që të përshpejtohet falja e namazit të Bajramit, pasi të hyjë koha e vet, që të ketë më shumë hapësirë për therjen e kurbaneve (sh.p.)

    [12] Shënon Buhariu (953.)

    [13] Tirmidhiu (542), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [14] Esh-Sherh el-Mumti (5/124).

    [15] Imami veçohet këtu, sepse ai vjen më vonë, kur të hyjë koha e namazit të Bajramit dhe menjëherë fillon me namaz. (sh.p.)

    [16] Pëlqehet e njëjta edhe në Kurban Bajram. (sh.p.)

    [17] Përcillet si merfu (zinxhiri përfundon tek Profeti ﷺ) dhe si meukuf (zinxhiri i hadithit përfundon te ndonjë sahabij), shejh Albani e saktësoi edhe si merfu edhe si meukuf në el-Irva (650).

    [18] Ibën Maxheh (1294), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

    [19] Shih: Fetave Ibën Baz (9/13), dhe sherh el-Mumtia (5/130).

    [20] Buhariu (338), Muslimi (1475).

    [21] Ky është mendimi i imam Shafiut (El-Um 1/395), dhe Ibën Abdulber (El Kafij 1/264). Mendimi i dijetarëve të medh’hebit hanbelij dhe malikij është se merren shtatë tekbire në rekatin e parë, përfshirë këtu edhe tekbirin fillestar, kurse në rekatin e dytë merren gjashtë duke përfshirë këtu edhe tekbirin gjatë ngritjes nga sexhdja e rekatit të parë, pra, para leximit të sures. (El Mudev’vene 1/169, El Kafij 1/264, El Mugni 3/271.) Kurse hanefitë e kanë mendimin se njëherit merret tekbiri fillestar e pastaj lexohet lutja e hapjes së namazit (subhaneke…)  e pastaj merren tri tekbire dhe pastaj lexohet surja el-Fatiha dhe një sure apo disa vargje nga Kurani, kurse në rekatin e dytë imami së pari lexon Fatihanë dhe një sure apo disa vargje nga Kurani, pastaj i merr tri tekbire radhazi, dhe në tekbirin e katërt, përkulet në ruku, (Hashijetu ibën Abidin 2/172). (Marrë nga faqja https://saaid.net/mktarat/eid/79.htm) (sh.p.)

    [22] Et-Taberanij në el-Kebir (9/303), shejh Albani e saktësoi në el-Irva (642).

    [23] Muslimi (887).

    [24] Muslimi (891).

    [25] Muslimi (887).

    [26] En-Nesaij (1571), shejh Albani e vlerësoi si të saktë.

    [27] Buhariu (964), Muslimi (884).

    [28] Ebu Davud (1073), shejh Albani e saktësoi.

    [29] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/119 – koleksioni i dytë)

    [30] Pra, nëse xhemati shkon në xhami, atëherë duhet ta falin namazin e xhumasë e jo të drekës. (sh.p.)

    [31] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/120)

    [32] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/119)

    [33] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/119)

    [34] Nuk ligjërohet vizita e varrezave në ditën e Bajramit, kjo ditë është ditë gëzimi. Ndalesa bën pjesë në ndalesën e përgjithshme të Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili ndaloi që varrezat të merren vend feste dhe këtu për qëllim është në kohë të caktuara dhe periudha të njohura nga kuptimi i marrjes së varrezave si vend feste. Kjo vlen për atë që varrezat i viziton vetëm se për Bajram dhe, pasi e fal namazin e Bajramit, shkon një herë bën bajram me të vdekurit e pastaj shkon te të gjallët nga familja, në këtë rast ky njeri gabon sepse kjo ditë është ditë feste dhe ajo festohet me të gjallët e jo me të vdekurit. (sh.p.)

    [35] Buhariu (950), Muslimi (892).

    [36] Imam Ahmedi (24855), shejh Albani e vlerësoi si të mirë në es-Sahiha (4/443)

    [37] Buhariu (3529), Muslimi (892).

    [38] Buhariu (987), Muslimi (892).

  • DISA RREGULLA TË FITËR BAJRAMIT

    DISA RREGULLA TË FITËR BAJRAMIT

    HËNA E MUAJIT SHEVAL

    Gjatë lajmërimit se është parë hëna e Shevalit:

    Ndërpriten teravitë me xhemat në xhami, ndërsa ai që do të falë namaz nate, mund të falet vetë në shtëpi.[1]

    Me vërtetimin e hënës së Shevalit, prej pas perëndimit të diellit fillohet me tekbire deri në namazin e Bajramit.

    Vazhdohet të jepet zekati i fitrave deri në faljen e namazit të Bajramit.

    PËRFUNDIMI I MUAJIT

    Allahu për në fund të muajit Ramazan ligjëroi për robërit e Vet ta madhërojnë dhe thotë: “Ai dëshiron që ta plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare: 185)

    Prej sunetit është që tekbiret të shqiptohen haptazi dhe zëshëm në xhami, shtëpi dhe tregje.

    Me tekbire fillohet prej momentit që vërtetohet paraqitja e hënës së re e muajit Sheval.

    Prej formave të tekbirit është: “Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahi elhamd.”

    Tekbiret përfundojnë me faljen e namazit të Bajramit.

    BAJRAMI ËSHTË NË DITËN KUR NJERËZIT KANË BAJRAM

    Kush agjëron në një vend e pastaj udhëton në një vend tjetër ku agjërimi te ta ka filluar një ditë para apo një ditë pas, nga vendi prej ku vjen, në këtë rast për të vlejnë rregullat e agjërimit sikur për vendasit, edhe nëse i bie të agjërojë më tepër se tridhjetë ditë, duke u mbështetur në hadithin: “Agjërimi nis me ditën kur njerëzit agjërojnë dhe agjërimi përfundon me ditën kur njerëzit përfundojnë.”[2]

    Por, nëse pakëson më pak se njëzet e nëntë ditë duhet ta kompensojë një ditë pas Bajramit (sepse muaji hënor nuk mund të jetë më pak se 29 ditë).[3]

    PËRFUNDOJENI AGJËRIMIN ME PAMJEN E HËNËS

    Ajo që ndodhi para disa vitesh, ku njerëz të besueshëm e panë në disa rajone hënën e re të Shevalit, në krahasim me disa astronomë të cilët këmbëngulnin se atë natë nuk do të paraqitet hëna e re sipas llogarive astronomike të tyre, është një mësim i madh për myslimanët se duhet të kapen për argumentet e fesë. Për ta vërtetuar fillimin e hyrjes së muajit dhe daljes prej tij, duhet t’i mbështetemi pamjes së hënës, e jo të përllogaritjeve astronomike që nganjëherë shkaktojnë huti dhe janë të gabuara, saqë vetë astronomët ndodh të kenë dilema në mes vete.

    SUNETET E BAJRAMIT

    Prej suneteve të Bajramit janë:

    Pastrimi i trupit, zbukurimi dhe parfumosja.

    Shqiptimi i tekbireve deri në faljen e Bajramit në faltoren e Bajramit. Nuk ka namaz para dhe pas namazit të Bajramit, përveç për atë që falet në xhami, ai mund t’i falë dy rekate për përshëndetjen e xhamisë.

    Shkuarja në xhami në këmbë nëse ka mundësi e kur kthehet nga xhamia, të kthehet rrugës tjetër nga ajo që ka shkuar për në xhami.

    Në mes të tekbireve të namazit të Bajramit lejohet të falënderohet dhe të lavdërohet Allahu dhe të dërgohen salavate mbi Pejgamberin ﷺ.

    Kujt i ikën namazi i Bajramit, mendimi më i saktë është se pëlqehet ta kompensojë namazin dhe ta falë në formën e vet, pra dy rekate dhe pa hutbe pas tij. Nëse e gjen imamin duke e mbajtur hutben, le të ulet ta dëgjojë imamin e pastaj le ta falë namazin, kështu të bashkojë në mes dy dobive.

    NËSE BAJRAMI BIE NË DITËN E XHUMA

    Nëse bie Bajrami në ditën e xhumasë, atij që e ka falur Bajramin i lehtësohet të zgjedhë a ta falë xhumanë apo drekën, edhe pse më e mira është të shkojë në namazin e xhumasë, bazuar në fjalën e Pejgamberit ﷺ: “Sot në këtë ditë ju janë bashkuar dy festa, prandaj kush dëshiron të mos e falë namazin e xhumasë, i mjafton namazi i Bajramit. Po, gjithsesi, ne do të falim edhe xhumanë.”[4]

    Imami e fal namazin e xhumasë, edhe nëse në xhami vijnë dy veta.[5]

    Xhamitë qëndrojnë të hapura për xhuma, ndërsa ata që nuk shkojnë në xhuma, e falin namazin e drekës në shtëpi me familjet e tyre.

    SHPENZIMET E BAJRAMIT

    Kërkesat për shpenzimet e Bajramit nganjëherë e turbullojnë çiltërsinë e lidhjeve familjare dhe gëzimin e kësaj dite. Prandaj duhet që:

    Pasaniku të shpenzojë sipas pasurisë që ka.

    I varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu. Nuk ka nevojë që veten ta fusë në borxhe të rënda, familjes ia sqaron gjendjen e tij me fjalë të mira dhe u premton që në të ardhmen, nëse Allahu ia lehtëson gjendjen, të shpenzojë më shumë për ta.

    Të braktiset teprimi në blerje apo shpenzimi në gjëra të ndaluara.

    Të ketë barazi në shpenzim në mes të fëmijëve.

    Të konsultohen anëtarët e familjes në mes vete sipas mundësive.

    FESTA E FESTAVE

    Ditët e Bajramit me gjithë gëzimin, lumturinë dhe harenë që e kanë, janë mundësi e mirë për kujtimin e ditës së festës së madhe dhe fitimit të madh duke e fituar kënaqësinë e Allahut, hyrjes në Xhenet dhe pamjen e Tij. Kjo Ditë është festa e të gjithë festave. Aty ka lumturi, gëzim, kënaqësi dhe gjëra që mendja e njeriut nuk mund t’i imagjinojë.

    Dolën njerëzit për Bajram,

    ecnin me mburrje,

    të zbukuruar dhe me gëzim.

    Dua që këtë ditë Allahu të jetë i kënaqur me mua,

    kjo ditë është festa, kënaqësia dhe gëzimi im.

    Dita e Fitër Bajramit është dita e shpërblimeve, sepse këtë ditë ndahen shpërblimet për punëtorët në Ramazan sipas punëve të bëra. Kush agjëroi me besim dhe llogariti në shpërblimin e Allahut, do ta marrë shpërblimin e tij të premtuar kur të plotësohet puna e tij, e ajo plotësohet me përfundimin e Ramazanit dhe me hyrjen në ditën e Bajramit.

    Dr.Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë nga libri: “Zahireja e agjëruesit”

    [1] Nata e Bajramit nuk lejohet të veçohet nga netët e tjera të vitit me namaz nate, përveç për atë që e ka traditë namazin e natës gjatë netëve të tjera të vitit, në këtë rast nuk ka problem nëse ngrihet natën e Bajramit dhe fal namaz nate, kurse hadithet që kanë ardhur për vlerën e ngjalljes së natës së Bajramit me namaz nate, nuk janë të sakta. (Bajrami – rregulla dhe dobi – Muhamed el-Munexhid) (sh.p.)

    [2] Tirmidhiu (697), prej hadithit të Ebu Hurejrës h, shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [3] Fetava Ibn Baz (51/551).

    [4] Ebu Davudi (1073), shejh Albani e saktësoi.

    [5] Fetava Ibn Baz (31/31).

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline