Category: Dija & Daveti

  • ZEKATI I FITRIT

    ZEKATI I FITRIT

    1. Zekati i fitrit bën pjesë në adhurimet dhe veprat e mëdha që myslimanin e afrojnë tek Allahu, kjo për shkak të lidhshmërisë që e ka zekati i fitrit me agjërimin e Ramazanit, të cilin Allahu ia dedikoi vetes në shenjë nderimi dhe madhështie.
    2. Zekati i fitrit është lëmoshë që detyrohet të jepet me mbarimin e agjërimit të Ramazanit, dhe fjala ‘zekat’ iu shtua fjalës ‘fitër’, sepse ndërprerja e agjërimit u bë shkak që të jepet zekati.
    3. Zekati i fitrit u detyrua për dy shkaqe:

    Shkaku i parë: Të jetë për agjëruesin pastrim nga gabimet dhe fjalët e ndyta. Vekia ibën el-Xherah tha: “Zekati i fitrit për muajin e Ramazanit është si dy sexhdet e harresës për namazin, i plotëson mangësitë në agjërim ashtu si e plotësojnë sexhdet mangësinë në namaz.”

    Shkaku i dytë: Zekati i fitrit është ushqim për të ngratët në Ditën e Bajramit.

    1. Atë që e synon zekati i fitrit është të shpenzohet për të ngratët dhe të varfrit nevojtarë, që ata të mos ndiejnë nevojë për të lypur apo për t’ua shtrirë dorën të tjerëve për Bajram, kjo ditë është ditë feste dhe gëzimi, e t’ia shtrish dorën tjetrit për Bajram është përbuzje dhe nënçmim.

    Ibën Abasi h tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ e detyroi dhënien e zekatit të fitrit si pastrim për agjëruesin nga gabimet dhe fjalët e ndyta dhe ushqim për të ngratët.”[1]

    1. “I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!” (El-A’la: 14-15); në këto vargje të sures El-A’la, ku thuhet se Allahu për qëllim e ka zekatin e fitrit.

    Përcillet se Omer ibën Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, ajetet i komentoi duke thënë: “E dha zekatin e fitrit e më pas doli për në namaz (namazin e Bajramit).”

    1. Zekati i fitrit i obligohet çdo myslimani. Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur nga ata të dy, përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ nxjerrjen e zekatit të fitrit ia detyroi çdo myslimani, i lirë apo skllav, mashkull apo femër.[2]
    2. Nxjerrja e fitrave i detyrohet çdo myslimani, agjëroi apo nuk agjëroi, fëmijë apo i madh, madje edhe për fëmijën që është në djep dhe për gruan që gjatë muajit të Ramazanit nuk e agjëroi asnjë ditë për shkak të lehonisë.
    3. Për fëmijën që është në barkun e nënës zekati i fitrit nuk detyrohet të jepet, por pëlqehet dhe dijetarët janë unikë në mes tyre për këtë rregull.
    4. Nxjerrja e zekatit të fitrit detyrohet kur perëndon dielli në ditën e fundit të Ramazanit, andaj kush martohet apo i lind fëmijë apo e pranon Islamin para se të perëndojë dielli, e ka për detyrë ta japë atë e, nëse ndodhin pas perëndimit të diellit, atëherë nuk detyrohet.
    5. Kush vdes para se ta arrijë kohën e nxjerrjes së zekatit të fitrit, për të nuk jepen fitrat, kurse ai që vdes pasi të hyjë koha e nxjerrjes dhe ende nuk e ka nxjerrë zekatin e fitrit, për të e japin trashëgimtarët e tij nga pasuria e tij, sepse ajo i është bërë detyrim dhe i ka mbetur si borxh.
    6. Zekati i fitrit nuk ka nisab[3], kriteri për ta dhënë zekatin e fitrit është që kush posedon ushqim më tepër sesa që është i mjaftueshëm për veten dhe familjen e tij, për në ditën dhe në natën e Bajramit, detyrohet ta japë zekatin e fitrit.
    7. Myslimani zekatin e fitrit e jep për veten dhe e jep për ata që është i detyruar të shpenzojë.[4] Pra, e jep për veten dhe për gruan, edhe nëse ajo ka pasuri, për fëmijët dhe prindërit e tij të varfër, dhe për vajzën e fejuar që ende nuk ka shkuar te burri i saj.
    8. Nëse fëmija ka pasuri, në këtë rast prindi nuk detyrohet që ta japë zekatin e fitrit për të.
    9. Kur burri e divorcon gruan dhe divorci është kthyes, d.m.th. është hera e parë apo e dyta që e ndan, zekatin e fitrit për gruan e jep burri i saj[5], kurse, nëse divorci është i përhershëm, d.m.th. e ka divorcuar tri herë, atëherë gruaja e jep për veten e saj.
    10. Fëmija nuk e ka për detyrë që ta japë zekatin e fitrit për gruan e babait të tij të varfër (njerkën), ngase obligimi i shpenzimit për gruan e babait nuk bie mbi të.
    11. Fëmija përderisa ka mundësi financiare, e jep vetë zekatin e fitrit për veten e tij. Nëse edhe prindi i tij e jep për të, nuk është problem dhe nuk dëmton gjë e, në veçanti, nëse prindi është mësuar që për çdo vit ta japë zekatin e fitrit për fëmijët, edhe pse janë të rritur dhe të punësuar, ai prapë dëshiron që ta vazhdojë këtë traditë të tij.
    12. Nëse dëshiron dikush që zekatin e fitrit ta japë për dikë që nuk e ka detyrim ta japë për të, patjetër e ka të marrë leje prej tij.
    13. Pronari i punëtorisë nuk detyrohet që ta japë zekatin e fitrit për shërbëtorin apo punëtorin e tij, mirëpo nëse e jep vullnetarisht për të, nuk është problem, vetëm se duhet ta lajmërojë atë paraprakisht që ta bëjë nijetin, ngase zekati i fitrit është adhurim dhe në adhurim patjetër duhet nijeti.
    14. Ai që vullnetarisht kujdeset për jetimin, nuk detyrohet ta japë zekatin e fitrit për jetimin, kurse nëse jetimi posedon pasuri të veten, zekatin e fitrit e jep vetë jetimi nga ajo pasuri e, nëse nuk posedon pasuri, atëherë obligimi i zekatit të fitrit për jetimin bie mbi të afërmin e tij që fetarisht detyrohet të shpenzojë për të.
    15. Sasia e zekatit të fitrit është një sa’a[6] nga ushqimi. Argument është hadithi që e përcjell Ebu Seid el-Hudrij h ku thotë: “Në kohën e Profetit ﷺ zekatin e fitrit e jepnim një sa’a nga ushqimi.”[7]
    16. Me sa’a për qëllim këtu është një enë mase që e përcaktoi Profetit ﷺ dhe që është e barasvlershme me aq sa zënë katër grushta me të dyja duart e një burri shtatmesatar.
    17. Rëndesa dallon sipas sojit të ushqimit që sa’a mbushet me të. Kur të jepet një soj i ushqimit me rëndesë për zekat të fitrit, patjetër të vërtetohet se a është e barasvlershme me të njëjtin soj të ushqimit të matur me sa’a, si p.sh. orizi përafërsisht duhet të rëndojë diku tre kilogramë.
    18. Zekati i fitrit jepet nga çdo lloj ushqimi bazë dominues në vend, si: grurë, misër, oriz, fasule, thjerrëza, humus (qiqra), bathë, dhe ushqime të tjera të ngjashme me to që ushqehen njerëzit në atë vend. Profeti ﷺ zekatin e fitrit e përcaktoi të jetë një sa’a nga ushqimi dhe sahabët e nxirrnin një sa’a nga ushqimi që e përdornin vetë ata.
    19. Me ushqim bazë për qëllim janë ushqimet që i përdorin njerëzit dhe që janë bazë dhe dominuese në vazhdimësi, andaj nuk lejohet që si zekat të fitrit të jepet sheqer dhe çaj, edhe pse njerëzit kanë nevojë për to, sepse ato nuk janë nga ushqimet që janë bazë për njerëzit.
    20. Ushqimet që janë bazë dhe ushqyese për njerëzit lejohen të jepen edhe si të konservuara për zekat të fitrit, si batha e konservuar në kuti teneqeje, humusi, misri, bizelja, fasulja dhe të ngjashme me to.
    21. Produktet ushqimore të konservuara përmbajnë edhe gjëra të tjera shtesë, për këtë arsye duhet pasur kujdes që ky fakt të merret parasysh gjatë përcaktimit të rëndesës apo peshës.
    22. Zekati i fitrit lejohet që vullnetarisht të nxirret edhe më shumë se një sa’a dhe ajo tepricë do të llogaritet sadaka për të cilën do të shpërblehet ai që e jep.
    23. Nxjerrja e zekatit të fitrit në formën e të hollave nuk lejohet, sepse Ligjvënësi detyroi të nxirret si produkt ushqimor dhe jo të holla dhe e përcaktoi edhe sojin e saj, prandaj nuk lejohet të jepet diçka tjetër jashtë asaj që është përcaktuar.[8]
    24. Zekati i fitrit nuk lejohet që të jepet në formën e të hollave dhe me to borxhliu t’i lajë borxhet, apo të operohet i sëmuri, apo të paguhet semestri për studentin dhe të ngjashme me to.

    Ekzistojnë burime të tjera që nevojat e të varfërve mund të plotësohen, si zekati i pasurisë dhe lëmoshat e përgjithshme.

    1. Zekati i fitrit i ka dy kohë të nxjerrjes së tij: kohën e pëlqimit dhe kohën e lejimit.

    Koha e pëlqimit është në mëngjes të ditës së Bajramit, sepse Profeti ﷺ urdhëroi që zekati i fitrit të nxirret para se të dalin njerëzit për namazin e Bajramit.[9] Prandaj edhe preferohet që falja e namazit të Fitër Bajramit të vonohet me qëllim që të ketë hapësirë të nxjerrjes së zekatit të fitrit.

    1. Kurse koha e lejimit është një apo dy ditë para Bajramit. D.m.th. që koha e parë që lejohet të nxirret zekati i fitrit është nata e 28-të e Ramazanit, sepse shokët e Profetit ﷺ e jepnin para Bajramit, një apo dy ditë, ndërsa muaji i Ramazanit është 29 apo 30 ditë.

    Abdullah ibën Omeri k tha: “E jepnim zekatin e fitrit një apo dy ditë para Bajramit.”[10]

    1. Kush e nxjerr zekatin e fitrit para kohës së lejuar, d.m.th. para natës së 28-të të Ramazanit, ai vetëm se e ka nxjerrë para kohe dhe përsëri detyrohet ta japë atë.
    2. Zekati i fitrit lejohet t’i jepet atij që është besnik apo përfaqësuesit ligjor, si shoqatave bamirëse, që nga fillimi i muajit Ramazan, me kusht që fitrat t’i nxjerrin një apo dy ditë para Bajramit.
    3. Vonimi i nxjerrjes së zekatit të fitrit pasi të falet namazi i Bajramit është haram, ai që e vonon, detyrohet që ta japë kaza-kompensim.
    4. Dijetarët janë të ndarë në mes tyre rreth meselesë së nxjerrjes së zekatit të fitrit pas namazit të Bajramit. Shumica nga dijetarët janë të mendimit se nxjerrja e fitrave pas namazit të Bajramit urrehet, por, edhe nëse ndodh, pranohet si vepër.

    Mirëpo, më afër së vërtetës është se nuk lejohet të vonohet dhënia e fitrave pas namazit të Bajramit bazuar në hadithin: “Kush e nxjerr zekatin e fitrit para namazit, llogaritet zekat i pranuar, kurse, kush e jep pas namazit, llogaritet sadaka nga sadakatë.” [11]

    Kur vonohet nxjerrja e fitrave, humbet edhe kuptimi i vërtetë që synohet nga zekati i fitrit, plotësimi i nevojave të të varfërve në ditën e gëzimit, andaj, kush e vonon pa arsye, bën gjynah dhe detyrohet ta japë kaza.

    1. “Fukahatë[12] njëzëri janë të pajtimit se zekati i fitrit nuk bie poqë del koha e tij, sepse ai që detyrohet t’i japë fitrat, e ka për borxh t’ua japë atyre që e meritojnë dhe ky borxh nuk lahet përveçse me dhënien e tij, sepse është hak i njeriut, kurse për hakun e Allahut, që vonohet nxjerrja e zekatit të fitrit pasi të kalojë koha e tij, duhet bërë kërkimfalje dhe pendim, sepse prej hakut të Allahut është të jepet në kohën e vet.”[13]
    2. Kur ai që duhet ta japë zekatin e fitrit e angazhon dikë tjetër për ta dhënë në vend të tij, përgjegjësia i mbetet përderisa nuk vërtetohet që i besuari i tij e ka nxjerrë dhe e ka dhënë atë në të vërtetë.
    3. Shoqatat bamirëse lejohet që nga pasuria e tyre t’i blejnë ushqimet, të cilat jepen për zekat të fitrit, gjatë Ramazanit apo para tij, e pastaj ato ushqime t’ua shesin atyre që dëshirojnë ta japin zekatin e fitrit. Po ashtu, shoqatave u lejohet ta marrin përgjegjësinë dhe besueshmërinë që për të tjerët ta nxjerrin zekatin e fitrit, një apo dy ditë para Bajramit.
    4. Nuk u lejohet shoqatave që ta nxjerrin zekatin e fitrit për të tjerët para se të kërkohet prej tyre që ta bëjnë një gjë të tillë, e më pas t’i kërkojnë të hollat për fitrat e shpërndara.
    5. Zekati i fitrit u jepet të tetë grupeve të përmendura në Kuran që u jepet zekati i pasurisë. Ka edhe një mendim tjetër të dijetarëve se zekati i fitrit u takon vetëm të varfërve dhe të mjerëve, dhe jo të tjerëve. Këtij mendimi i takon Ibën Tejmije dhe Ibën el-Kajimi, Allahu i mëshiroftë, nga dijetarët e vjetër, dhe Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, nga dijetarët bashkëkohorë.
    6. Dhënësi i zekatit të fitrit, sipas mundësive, duhet të hulumtojë t’i gjejë të varfrit që e meritojnë, e nëse më vonë del në pah se ai që i mori fitrat është pasanik, kjo nuk e dëmton atë që i dha fitrat dhe zekati i fitrit i tij është i pranuar.
    7. Kur të vijë dikush dhe kërkon t’i jepet zekati i fitrit, të folurit, veshja dhe pamja e tij aludojnë se e meriton zekatin e fitrit, jepja atij. Ti gjyko sipas pamjes së jashtme, kurse Allahut i takon gjykimi sipas zemrave.
    8. Nuk lejohet që zekati i fitrit të jepet dhe investohet në ndërtimin e xhamive dhe projekteve bamirëse.
    9. Lejohet që fitrat e një personi t’i jepen një grupi të njerëzve dhe njashtu fitrat e një grupi t’i jepen një personi.
    10. Kur i varfri e merr nga tjetri zekatin e fitrit dhe i tepron, pra fitrat janë më tepër sesa nevoja e tij, i lejohet atij që atë tepricë, nëse është e plotë dhe e arrin sasinë e zekatit të fitrit, ta japë si zekat të fitrit për veten apo për dikë nga familja e tij që e ka për detyrë të shpenzojë për të.
    11. Dijetarët janë të pajtimit se nuk lejohet zekati i fitrit t’u jepet atyre që njeriu e ka për detyrë të shpenzojë për ta, sikurse prindërve dhe fëmijëve.
    12. Zekati i fitrit lejohet që t’u jepet akrabave të varfër, madje, nëse u jepet atyre, është më e mirë sesa t’u jepet atyre që janë më të largët, sepse dhënia për akrabatë llogaritet sadaka dhe respektim i lidhjeve farefisnore.
    13. Zekati i fitrit jepet për myslimanët e varfër të vendit, pavarësisht se pasuria e atij që i jep fitrat a gjendet në atë vend apo jo, dhe lejohet që fitrat të transferohen në vende të tjera për të varfrit e tyre nëse ka nevojë, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve.
    14. Zekati i fitrit nuk lejohet që t’u jepet jomyslimanëve.
    15. Një ndër gabimet që bëhen është nxjerrja e produkteve ushqimore jokualitative dhe jo të mira për zekat të fitrit. Allahu është i Miri dhe nuk pranon veçse të mirën.

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Pjesë e librit : “Udhërrëfyes për muajin e Ramazanit”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1] Ebu Davud (1371) me zinxhir të mirë.

    [2] Buhariu dhe Muslimi.

    [3] Nisab është sasia e caktuar e pasurisë me Sheriat, kështu që kur arrihet kjo sasi – nisabi, hyn në fuqi obligimi për dhënien e zekatit. (sh.p)

    [4] Ka edhe mendim tjetër të dijetarëve që e cekin zekatin e fitrit të cilin e jep secili për veten e tij dhe nuk detyrohet që burri ta japë për të tjerët e, nëse vullnetarisht e bën këtë, kjo është vepër e mirë nga ana e tij. (Burimi: https://islamqa.info/ar/99353). (sh.p.)

    [5] Përderisa gruaja është në iddet (ditët e pritjes), ajo ende është grua e burrit të saj, dhe burri e ka për detyrë të shpenzojë për të, e këtu përfshihet edhe dhënia e zekati të fitrit për të, përderisa është në ditët e pritjes. Disa nga dijetarët e kanë mendimin se burri në këtë periudhë nuk duhet ta japë zekatin e fitrit për gruan e tij të divorcuar dhe ajo vetë duhet ta japë atë. Ky është medh’hebi i Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë, dhe këtë mendim e ka shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë! Mirëpo, ajo më e mira është që ta japë burri gjatë kësaj periudhe, që për çdo rast e largon përgjegjësinë e vet, duke e pasur parasysh se zekati i fitrit nuk kushton shumë, është pak dhe nuk e rëndon atë. (Burimi: https://islamqa.info/ar/99585). (sh.p.)

    [6] Sa’a është një sasi matëse e barabartë me katër ‘mud’ dhe një ‘mud’ është i barabartë me një grusht me të dyja duart e një burri shtatmesatar. (sh.p)

    [7] Buhariu dhe Muslimi.

    [8] Ky është mendimi i imam Malikut, Shafiut dhe Ahmedit, Allahu i mëshiroftë, duke u bazuar në atë që edhe në kohën e Profetit ﷺ ka pasur dinar dhe dërhem, mirëpo nuk i ka urdhëruar të japin të holla, por ushqim i cili është bazë dhe dominues që e përdorin njerëzit në atë vend. Imam Ebu Hanife, Allahu e mëshiroftë, e ka mendimin se lejohet dhënia e zekatit të fitrit edhe të holla përveç ushqimit. Është edhe një mendim tjetër, mendimi i Ibën Tejmijes, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë që lejohet të jepet zekati i fitrit në formë të të hollave në raste nevoje apo dobie të qartë, përndryshe detyrohet të jepet ushqim. (Burimi: http://fatwa.islamweb.net/fatwa/index.php?page=showfatwa&Option=FatwaId&Id=140294). (sh.p.)

    [9] Buhariu dhe Muslimi.

    [10] Buhariu (1511).

    [11] Ebu Davud (1371), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të mirë.

    [12] Dijetarët e jurisprudencës islame. (sh.p.)

    [13] El-Meusua el-fikhije (23/341).

  • DISA RREGULLA TË ZEKATIT TË PASURISË

    DISA RREGULLA TË ZEKATIT TË PASURISË

    TË KEMI KUJDES GJATË NXJERRJES SË ZEKATIT TË PASURISË

    Zekati i pasurisë nuk jepet për t’i dhënë iftar agjëruesit, sepse zekati i takon të varfrit, ndërsa në mesin e atyre që hanë iftar ka pasanikë dhe ka të varfër. Po ashtu, nuk i jepet as jetimit, përveç nëse është i varfër. Ka jetim që ka pasuri të cilën e ka trashëguar nga familja e tij, jo çdo jetim është i varfër. Shërbëtori dhe punëtori mund të marrin nga zekati vetëm nëse bëjnë pjesë në grupet që u jepet zekati, përndryshe nuk lejohet që t’ua japim atyre, me qëllim të përfitimit personal.

    ZEKATI I RROGËS

    Sa i përket rrogës janë dy mundësi:

    Rroga të shpenzohet vazhdimisht dhe prej saj të mos mbetet gjë (apo mbetet pak sa nuk e arrin sasinë e caktuar). Në këtë rast nuk ka zekat, sepse kriteret nuk plotësohen.

    Rroga të jetë e lartë saqë i mbeten të deponuara nga rroga aq të holla, saqë e arrijnë nisabin[1] (sasinë e caktuar), ku ndërkohë mund të shtohen dhe të pakësohen. Në këtë rast, mënyra më e mirë për zekatin e tij është ta llogarisë plotësimin e një viti[2] prej sasisë së parë që e ka deponuar dhe e ka arritur nisabin. Kur plotësohet një vit i plotë prej momentit që është arritur nisabi, e jep zekatin për të gjithë pasurinë që është tubuar brenda një viti. Për atë pasuri që e ka plotësuar një vit të plotë, në këtë rast zekati i saj është nxjerrë në kohën e vet, ndërsa për pasurinë që brenda vitit iu ka bashkëngjitur dhe nuk e ka plotësuar një vit, zekati i saj është nxjerrë pak më herët, por kjo nuk është problem, sepse lejohet që zekati të nxirret pak para kohe.[3]

    NIJETI I ZEKATIT

    Nijeti është kusht në nxjerrjen e zekatit, prandaj zekati nuk pranohet, përveçse me nijet që të jepet si zekat. Kush shpenzon nga pasuria e tij me nijet për sadaka e jo me nijet për zekat dhe më vonë e ndërron mendjen dhe dëshiron që atë pasuri ta llogarisë si zekat, kjo nuk pranohet prej tij, sepse ai kur e ka nxjerrë pasurinë, nuk e ka bërë nijetin për zekat.

    Detyrohet të jepet menjëherë si të plotësohet një vit (hënor e jo gregorian), pasi e ka arritur nisabin dhe nuk lejohet të vonohet. Lejohet të nxirret pak para kohe nëse ka nevojë, me nijet për zekat.

    ZEKATI I PASURISË SË PATUNDSHME

    Nëse toka (shtëpi, banesë etj.) është përgatitur për banim, nuk jepet zekat për të.

    Nëse toka është përgatitur për ta dhënë me qira, nuk jepet zekat për të, por jepet për të hollat e qirasë (nëse e arrijnë nisabin apo ato i shtohen pasurisë bazë që e ka pronari), pasi t’i plotësojë një vit të plotë hënor, apo ajo që ka mbetur nga viti.

    Nëse toka është e përgatitur për të bërë tregti me të, atëherë jepet zekat për të.

    Kush ka patundshmëri dhe është i lëkundur se a ta bëjë vend për banim apo të bëjë tregti me të, nuk ka zekat në këtë rast, derisa pronari të jetë i vendosur plotësisht, edhe nëse plotësohet një vit i plotë.[4]

    PATUNDSHMËRIA E SHPRONËSUAR

    Patundshmëria e cila shpronësohet dhe i përcaktohet vlera, por pronari i saj nuk e ka marrë shumën e caktuar për shkak se nuk ia kanë dhënë, në këtë rast nuk ka zekat derisa ta marrë kompensimin dhe të presë të plotësohet një vit i plotë hënor.[5]

    ZEKATI I AKSIONEVE

    Në esencë, zekatin e aksioneve e jep vetë pronari, sepse aksioni është pronë e tij. Ndërsa administrata e kompanisë mund ta japë në vend të tij në katër raste:

    – Nëse rregullorja bazë e tyre e lejon këtë.

    – Nëse merret vendim në seancën plenare.

    – Nëse ligji i shtetit i detyron kompanitë ta nxjerrin zekatin e aksioneve.

    – Nëse kompania autorizohet nga vetë pronari i aksioneve që ajo ta japë në vend të tij.[6]

    Nëse bie ndjeshëm vlera e aksioneve, zekati i saj obligohet sipas çmimit që është i mundshëm të tregtohet me to në treg dhe ka blerës që mund t’i blejë ato, edhe po qe se çmimi është i ulët, nëse shuma e saj e arrin nisabin, duhet ta nxjerrë zekatin 2.5 % nga vlera e këtyre aksioneve.

    Aksionet dhe tokat që pronari i saj i pret të rriten në çmim dhe t’i shesë ato, obligohet ta japë për to zekatin për çdo vit 2.5 % të vlerës së tyre në treg. Nëse ka nevojë që të shtyhet nxjerrja e zekatit deri sa t’i shesë ato, kjo lejohet, duke i llogaritur të gjitha vitet e pritjes derisa i ka shitur ato.

    GJËRAT QË PËR TO NUK JEPET ZEKAT

    Çdo gjë që njeriu e ka përgatitur për veten dhe për nevojat e tij si banesa (apo shtëpia), mobilet e shtëpisë, rrobat, xhevahiret, mjetet e transportit, mjetet e punës, pajisjet e ndërtimtarisë, dekoret e shitoreve etj., nuk ka zekat në to, përveçqë këtu veçohet ari dhe argjendi, për to jepet zekat.

     

    Dr.Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë nga libri: “Zahireja e agjëruesit”

     

    [1] “Nisab” quhet sasia e caktuar e pasurisë me sheriat, kështu që kur arrihet kjo sasi, hyn në fuqi obligimi për dhënien e zekatit, kurse, nëse pasuria është më pak se kjo sasi, atëherë nuk e obligon dhënien e zekatit. Nisabi dallon me dallimin e llojeve të pasurive që jepet zekat për të: te devetë nisabi është pesë deve (d.m.th. nëse i ka pesë e më shumë deve, obligohet dhënia e zekatit, kurse më pak se pesë, nuk obligohet), te lopët nisabi është tridhjetë, te delet është dyzet, nisabi i arit është 85 gramë (ari i pastër 24 karatë) dhe nisabi i argjendit është 595 gramë. (Burimi: Rregullat e zekatit – Muhamed el-Munexhid) (sh.p.)

    [2] Ky është kushti i dytë për ta dhënë zekatin, pra, pasi pasuria e arrin sasinë e caktuar, duhet të plotësojë një vit të plotë hënor prej momentit kur e ka plotësuar nisabin. Nëse brenda vitit pasuria mangësohet, shkaku i shitblerjes ose shpenzimit ose diçkaje tjetër dhe bie nën sasinë e caktuar për dhënien e zekatit, me këtë bie edhe obligimi i dhënies së zekatit, sepse pasuria që është mangësuar ka rënë nën sasinë e caktuar të zekatit pa e plotësuar një vit të plotë. Ndërsa, nëse pasuria prapë shtohet dhe e arrin sërish nisabin, numërimi i ditëve fillon prej atij momenti që e ka arritur nisabin dhe pritet të plotësohet një vit i ri për ta dhënë zekatin. (sh.p)

    [3] Fetava el-Lexhnetu ed-Daime (9/280).

    [4] Fetava Ibn Baz (41/761).

    [5] Fetava Ibn Baz (14/41).

    [6] Muxheletu el-Mexhea’ el-Fikhij (4/1/188).

  • DISA RREGULLA TË ZEKATIT TË FITRIT

    DISA RREGULLA TË ZEKATIT TË FITRIT

    Pejgamberi ﷺ e detyroi dhënien e zekatit të fitrit si pastrim për agjëruesin nga gabimet dhe fjalët e ndyta dhe ushqim për të ngratët.

    Prandaj, detyrohet ta japë çdo mysliman agjëroi apo nuk agjëroi (për arsye të pranuara sheriatike), nëse posedon ushqim më tepër sesa që është i mjaftueshëm për veten dhe familjen e tij, për në ditën dhe në natën e Bajramit. Sasia e zekatit të fitrit është një sa’a nga ushqimi i vendit ku jeton (diku tre kilogramë).

    Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, nuk lejohet zekati i fitrave të jepet në formë të të hollave.

    Myslimani zekatin e fitrit e jep për veten dhe e jep për ata që është i detyruar të shpenzojë. Pra, e jep për veten dhe për gruan, edhe nëse ajo ka pasuri, për fëmijët dhe prindërit e tij të varfër (dhe për vajzën e fejuar që ende nuk ka shkuar te burri i saj). Ka edhe mendim tjetër të dijetarëve që e cekin se zekatin e fitrit e jep secili për veten e tij dhe nuk detyrohet që burri ta japë për të tjerët e, nëse vullnetarisht e bën këtë, kjo është vepër e mirë nga ana e tij.
    Pëlqehet të jepet zekati i fitrit për fëmijën në bark.

    Borxhliu dhe i varfri obligohen ta japin nëse posedojnë ushqim më tepër sesa që është i mjaftueshëm për veten dhe familjen e tyre, për në ditën dhe në natën e Bajramit. Ata mund ta japin zekatin e fitrave nga zekati që u vjen atyre.
    Zekati i fitrave jepet nga çdo ushqimi bazë dominues që hahet në atë vend, si: oriz, grurë, makarona, miell etj., dhe sasia duhet të jetë diku tre kilogramë.

    Zekati i fitrit lejohet që vullnetarisht të nxirret edhe më shumë se një sa’a dhe teprica do të llogaritet sadaka për të cilën do të shpërblehet ai që e jep.

    Lejohet që fitrat e një personi t’i jepen një grupi të njerëzve dhe, njashtu, fitrat e një grupi t’i jepen një personi.

    Pëlqehet ushqimi të jetë prej produktit kualitativ.
    Fitrat jepen në vendin ku detyrohen të nxirren, por lejohet edhe shpërngulja e tyre për nevojë në vend tjetër, nëse nuk gjen fukara në vendin e vet.

    Pëlqehet të nxirren në mëngjes të ditës së Bajramit para se të falet namazi i Bajramit. Lejohet të nxirren natën e Bajramit, dhe një apo dy ditë para.
    Lejohet të angazhohet dikush tjetër që është besnik ta blejë dhe ta shpërndajë zekatin e fitrit.

    Nëse e vonon jashtë kohës së vet me vetëdije nxjerrjen e zekatit të fitrit, bën gjynah, prandaj pendohet për gjynahun dhe detyrohet që ta japë kaza-kompensim.

    Zekati i fitrave u jepet të varfëve dhe të ngratëve prej myslimanëve, nuk jepet për projekte bamirëse.

    Dr.Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë nga libri: “Zahireja e agjëruesit”

  • NAMAZI I NATËS NË DHJETËSHIN E FUNDIT

    NAMAZI I NATËS NË DHJETËSHIN E FUNDIT

    Shumë prej xhamive namazin e natës në dhjetëshin e fundit e ndajnë në dy pjesë:

    Ajo që ligjërohet është të falen të dy namazet (namazi i teravive në pjesën e parë të natës dhe namazi i natës në pjesën e tretë të natës), e ai që ka vështirësi t’i falë të dy namazet, më e mirë për të është t’i japë përparësi namazit të natës në pjesën e fundit të natës.

    Nëse frikohet që natën nuk do të mund të zgjohet, më mirë është ta falë namazin e teravive dhe vitrin para se të flejë.

    Nuk ka pengesë që teravitë të falen në një xhami e namazi i natës në një xhami tjetër.

    Nëse e përfundon namazin me imam në xhami, pastaj do që të falë namaz shtesë dhe e di që në xhami tjetër e përfundojnë namazin më vonë, nuk ka pengesë të shkojë të falet te xhamia tjetër, por nuk e përsërit vitrin.

    Më e mira është që ai i cili falet pas imamit, ta përfundojë namazin e natës me imamin që e ka filluar namazin dhe jo të shkojë në xhami tjetër ta përfundojë namazin me imam tjetër, në mënyrë që ta marrë shpërblimin sikur të jetë falur tërë natën. Nëse imamët ndërrohen në një xhami, njëri i fal disa rekate pastaj tjetri i vazhdon të tjerat, llogaritet si t’i kishte falur një imam. Nuk ka pengesë nëse e plotëson namazin në xhami tjetër, sidomos kur ka ndonjë dobi fetare.

    Kush është i angazhuar me punë apo përton, apo nuk ka mundësi ta falë namazin në fund të natës me imam, për të mos e lënë, më e mira është ta falë vetë në shtëpi apo bashkërisht me familjen e tij, të përpiqet ta zgjasë sa të mundet dhe ta përfundojë me vitër, që mos t’i ikën shpërblimi.

    Dr. Muhamed Salih el- Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë nga libri: “Zahireja e agjëruesit”

  • Dhjetëshi i fundit i Ramazanit (HUTBE)

    Dhjetëshi i fundit i Ramazanit (HUTBE)

    Allahu i Madhëruar na ka treguar se prej cilësive të muajit Ramazan është se këto ditë janë:

    ﴿أَيَّامٗا مَّعۡدُودَٰتٖۚ ١٨٤﴾

    “Ditë të numëruara.” (El Bekare, 184)

    Ne po shohim se këto ditë pothuajse shkuan dhe ka mbetur vetëm dhjetëshja e fundit.

    Në këtë dhjetëshe është nata më e madhe e vitit. Në këtë natë ka filluar zbritja e shpalljes, Kuranit. Në këtë natë, ka ndodhur bashkimi mes tokës dhe qiellit. Me zbritjen e Kuranit ka zbritur edhe Xhibrili ﷺ. Vëllezër, njerëzimi përgjatë gjithë historisë nuk ka parë sikurse kjo natë. Tërë kjo natë është dritë, është selam – paqe, është qetësi. Allahu ka zbritur sure të Kuranit me emrin “Surja el Kadër”, për të treguar për këtë natë.

    Ne duhet ta kemi parasysh se në Islam nuk ka kot diçka madhështore, thjesht pa asnjë arsye. Andaj, edhe kjo natë, në gjatësi kohore është sikurse netët e tjera, përafërsisht tetë orë, gjë që ndryshon varësisht prej stinës. Pra, tetë orë është nata e Kadrit, e edhe netët e tjera janë nga tetë orë. Mirëpo, ndryshimi është shumë i madh:

    ﴿لَيۡلَةُ ٱلۡقَدۡرِ خَيۡرٞ مِّنۡ أَلۡفِ شَهۡرٖ٣﴾

    “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” (El Kadër, 3)

    Pra, ne nuk i shikojmë gjërat në sasi, porse në bereqet dhe me vepra të mira, sepse kështu na rritet vlera, e jo thjesht me jetëgjatësi e sasi.

    Kësaj nate iu rrit vlera sepse në këtë natë zbriti Kurani. Në këtë kohë nuk kishte Islam, nuk kishte Pejgamber, nuk adhurohej Allahu, prandaj ndodhi ky ndryshim i madh te mbarë njerëzimi.

    Pastaj nga kjo pjesë e ajetit: “… më e mirë se një mijë muaj.” (El Kadër, 3), kuptojmë se Allahu po dëshiron të na falë e të na fus në Xhenet.

    Ta përafrojë këtë me një shembull, edhe pse Allahut i takon shembulli më i lartë. Nganjëherë ndodh që dikush ka dëshirë t’i ndihmojë dikujt ose t’i jap diçka prej pasurisë, porse nuk dëshiron t’ia jap drejtpërdrejtë, pa asnjë lodhje, pa asnjë sakrificë, por kërkon prej tij, qoftë edhe një punë të vogël, që ta arsyetoj këtë dhuratë që ka dëshirë t’ia jap, e pastaj pasi ta mbarojë punën, ky i pasuri i jep shumë më shumë sesa haku që e meriton punëtori në fjalë. Pra, në njëfarë forme nuk po ia jap kështu krejt falas që të mos e bëjë dembel, por po i kërkon qoftë edhe një punë të vogël.

    Kështu Allahu dëshiron të na nderojë e të na shpërblejë, porse me pak punë, ashtu që të na shoh se ne e falënderojmë.

    Në këtë natë shkruhen kaderet – përcaktimi vjetor se çfarë do të ndodhë brenda vitit.

    Pejgamberi ﷺ  nuk na ka treguar prerazi se kur është kjo natë. Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetëshen e fundit të Ramazanit.”[1]

    Pastaj na e ka treguar edhe një detaj të rëndësishëm, që të kërkohet: “… Në netët tek të dhjetëshes së fundit të Ramazanit.”[2]

    Pejgamberi ﷺ  i ngjallte këto net me adhurim, e shtrëngonte mesin, e zgjonte familjen.

    Vëllezër, nëse na ka ikur diç prej këtyre ditëve të kaluara, së paku këto ditët e fundit të mos na ikë asgjë. Përfundimi gjithmonë është më i rëndësishëm. Minutat e fundit gjithmonë janë më të rëndësishme. Tani gjithsesi duhet të këndellemi, t’i përvjelim duart. Këtu nuk kemi kohë të hamendemi.

    Shikoje sesi gjatë Ramazanit, sahabët i ndryshonin edhe njësitë matëse. Zejd ibn Thabiti tregon: “Njëherë hëngrëm syfyr me Pejgamberin ﷺ , pastaj ai u ngrit për namaz (të sabahut).” Enesi e pyeti: “Sa ishte distanca kohore mes ezanit (namazit të sabahut) dhe syfyrit?”

    • Aq sa t’i lexoje pesëdhjetë ajete, – i tha Zejdi.[3]

    Kur arabët donin të tregonin sa ka zgjatur ndonjë takim, ndonjë punë etj., thoshin: “Sa milet një dele”, pra, një kohë e shkurtër, 5-10 min.; “Sa theret një deve”, për një orë. Ndërkaq, në Ramazan, aq shumë ishin të lidhur me Kuranin, saqë edhe njësitë matëse të kohës i ndryshuan dhe i bënë aq sa lexohen kaq e aq ajete.

    Te ne do të ishte shumë e bukur sikur edhe ne njësitë matëse t’i bënim me Kuran, me sadaka, me syfyr e të ngjashme.

    Kujtoje edhe këtë hadith: “Aroma e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa parfumi i myshkut (miskut).”[4]

    Rreth këtij hadithi dijetarët kanë thënë: Pasi që agjërimi i këtij personi ishte i fshehtë, vetëm për Allahun, dhe askush nuk ka mundësi ta dijë se është duke agjëruar, atëherë Allahu i Madhëruar si shpërblim për të do ta bëjë që kjo aromë e këtij agjëruesi të ndihet nga njerëzit e tjerë në Ditën e Kiametit. Po ashtu disa dijetarë kanë thënë se kjo aromë e gojës të cilën e do Allahu është një aromë shpirtërore, përmes së cilës Allahu ia jap agjëruesit një prani dhe një dashuri në zemrat e njerëzve. Për këtë arsye ne e shohim në praktikë sesi njerëzit i duan agjëruesit.

     

    Pjesa e dytë e hutbes

    Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Nëse ha e pi nga harresa, le ta plotësojë agjërimin, se Allahu e ka ushqyer dhe i ka dhënë të pijë.”[5]

    Ky hadith na tregon lehtësimin që e ka feja islame.

    Po ashtu personi i cili nuk di, ose personi i cili harron ose gabon, atij nuk i shkruhet si mëkat.

    Po ashtu nga ky hadith kuptojmë se harresa qenka edhe prej Allahut, e jo vetëm prej shejtanit. Madje, harresa paska raste kur qenka mëshirë prej Allahut, sepse, kur ne e harrojmë të kaluarën e keqe që e kemi pasur, kjo është mëshirë.

    Prej këtij hadithi kuptojmë se agjërimi është i saktë dhe është i plotë, e jo i cunguar.

    Prej këtu dijetarët e kanë sjellë një rregull në fikh:

    “Nëse gjatë adhurimit bëhet një gjë e ndaluar, porse me harresë, atëherë ky adhurim është i saktë” siç është rasti kur personi ha dhe është agjërueshëm, e vazhdon agjërimin sepse ka bërë gjë të ndaluar, porse me harresë. Po ashtu, ai që thotë ndonjë fjalë të dynjasë gjatë namazit, porse me harresë, atëherë themi se ka bërë gjë të ndaluar, por me harresë, kështu që namazi është i saktë.

    Në të kundërtën, nëse gjatë adhurimit lihet një urdhër, qoftë dhe me harresë, adhurimi duhet përsëritur. Për shembull, ne jemi të urdhëruar që të marrim abdes për namaz, por ja që dikush ka harruar të marrë abdes. Këtu ne i themi që namazin duhet ta falësh përsëri, sepse ke lënë një urdhër, ndërsa harresa këtu nuk nënkupton që të lirohesh prej namazit.

    Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

     

    [1] Buhariu nr.2020.

    [2] Buhariu nr.2017.

    [3] Buhariu nr.575.

    [4] Buhariu nr.1904.

    [5] Buhariu nr.1933.

  • ITIKAFI

    ITIKAFI

    1. Itikaf nga aspekti gjuhësor nënkupton të jepesh shumë pas diçkaje, të jesh i pandarë, i pashkëputur nga diçka dhe të jesh i vazhdueshëm në të.

    Kurse itikaf nga aspekti terminologjik fetar nënkupton të qëndrosh dhe të vetmohesh në xhami me nijet adhurimi dhe afrimi për tek Allahu. Ai i cili qëndron në xhami dhe vetmohet në të për adhurim, i thuhet ‘akif ’[1] dhe ‘muatekif’[2].

    1. Realiteti i itikafit dhe synimi i tij është që zemra të këmbëngulë drejt Allahut dhe të vetmohet me Atë. Ai që dëshiron të qëndrojë në itikaf duhet t’i ndërpresë lidhjet dhe angazhimet me krijesat, të angazhohet me adhurimin e Allahut dhe me përmirësimin e lidhjes me Të, derisa të mbisundojë në zemrën e tij përmendja, dashuria, lutja dhe nisja drejt Tij, shoqërimi i tij të jetë me Allahun dhe mendja e tij të mos mendojë në diçka tjetër, përveçse në arritjen e kënaqësisë së Tij dhe veprave që e afrojnë deri tek Ai.

    Gjatë qëndrimit në itikaf, njeriu e izolon veten dhe e mbyll për ta adhuruar Allahun dhe për ta përmendur Atë, largohet nga çdo gjë që e preokupon përveç Allahut, me zemrën e tij këmbëngul drejt Allahut dhe çdo gjëje që e afron për tek Allahu. Brenga e vetme e tij është Allahu dhe ajo që e kënaq Atë.

    Sa më shumë që shtohet njohja e Allahut, dashuria ndaj Tij dhe shoqërimi me Të, aq më shumë robi dëshiron që të largohet nga çdo gjë dhe të vetmohet vetëm me Allahun.[3]

    1. Itikafi është i ligjshëm me Kuran e me Sunet dhe me ixhma (konsensus të dijetarëve).

    Allahu thotë: “Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: ‘Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur’.” (El-Bekare: 125)

    Dhe thotë: “Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami!” (El-Bekare: 187)

    Aisha i përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ qëndronte në itikaf në dhjetëshin e fundit të Ramazanit derisa Allahu ia mori shpirtin dhe, pas vdekjes së tij, qëndronin në itikaf gratë e tij.[4]

    Një herë Pejgamberi ﷺ nuk qëndroi në itikaf në dhjetëshin e fundit të Ramazanit dhe më pas atë e kompensoi me dhjetë ditë në Sheval.[5]

    Dijetarët janë të një mendimi se itikafi është i ligjshëm dhe pëlqehet të veprohet.

    1. Qëndrimi nëpër xhamia për itikaf është nga shenjat e imanit si dhe nga mirëmbajtja e xhamisë, me këto cilësi Allahu i përshkroi robërit e Tij dhe thotë: “Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që e besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit…” (Et-Teube: 18). Allahu në këtë ajet e vërtetoi dhe dëshmoi për imanin e mirëmbajtësve të xhamisë. Mirëmbajtja e xhamisë bëhet materialisht (duke e ndërtuar, riparuar, mirëmbajtur dhe pastruar atë) dhe moralisht, e cila është më e ndershmja, duke bërë ibadet në të, me namaz, itikaf, lexim të Kuranit, përmendje të Allahut, kërkim të dijes dhe mësimdhënie të dijes së dobishme.
    2. Itikafi është vepër e mirë që të afron tek Allahu dhe bën pjesë në afrimin e përgjithshëm tek Allahu me adhurime vullnetare, mirëpo, për sa i përket shpërblimit të tij, nuk ka argument që e vërteton saktësisht shpërblimin e itikafit. Hadithet e transmetuara ku në to ceket shpërblimi i itikafit, janë të dobëta ose të shpikura si, hadithi: “Kush bën itikaf me bindje dhe me llogari në shpërblimin e Allahut, i falen gjynahet e mëhershme”[6], dhe hadithi: “Kush bën itikaf dhjetë ditë në Ramazan është e barabartë me kryerjen e dy haxheve dhe umreve.”[7]

    Ebu Davudi, Allahu e mëshiroftë, e kishte pyetur imam Ahmed ibn Hanbeli, Allahu e mëshiroftë, nëse dinte ndonjë argument të saktë për vlefshmërinë e itikafit. Imami ishte përgjigjur: “Jo, nuk di diçka të saktë, përveç disa haditheve të dobëta.”[8]

    1. Me pajtim të të gjithë dijetarëve, itikafi, në esencë, është sunet e jo obligim, dhe nuk detyrohet përveçse me zotim. Omeri h e pyeti Pejgamberin ﷺ dhe i tha: “Në kohën para Islamit isha zotuar që do të qëndroj në itikaf për një natë në Mesxhidil Haram (Xhaminë e Shenjtë – Qabe)! Pejgamberi ﷺ i tha: ‘Realizoje zotimin tënd’.”[9]
    2. Itikafi nuk ndërlidhet me një kohë të veçantë, ai ligjërohet në të gjitha kohët, në Ramazan dhe jashtë Ramazanit, megjithëse në Ramazan është më i vlefshëm se jashtë tij.

    Itikafi më i pëlqyer dhe më i vërtetuar është ai i dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, sepse Pejgamberi ﷺ qëndronte në itikaf në dhjetëshin e fundit dhe e kërkonte natën e Kadrit. Për atë që nuk ka mundësi të qëndrojë të gjitha dhjetë netët e fundit, mund të qëndrojë sa të ketë mundësi, qoftë edhe vetëm një natë.

    1. Itikafi në dhjetëshin e fundit është sunet i vërtetuar që e veproi Pejgamberi ﷺ shokët dhe gratë e tij, mirëpo i braktisur dhe i harruar nga myslimanët në të kaluarën dhe në të tashmen, derisa Ibën Shihab Ez-Zuhrij, Allahu e mëshiroftë, (ndërroi jetë në vitin 125 hixhri) tha: “Çudi me myslimanët! E braktisën itikafin, kurse Pejgamberi ﷺ nuk e braktisi prej kur hyri në Medine e deri kur ndërroi jetë.”[10]

    Aisha i përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ qëndronte në itikaf në dhjetëshin e fundit të Ramazanit derisa Allahu ia mori shpirtin dhe, pas vdekjes së tij, qëndronin në itikaf gratë e tij.[11]

    1. Sa lejohet më së paku të qëndrohet në itikaf? Rreth kësaj meseleje dijetarët kanë mendime të ndryshme: Shumica e dijetarëve thonë se ajo është një çast. Prandaj, ligjërohet itikafi dhe pranohet nëse qëndron vetëm një çast, një orë, një ditë, një natë, ose më shumë ose më pak ose thënë më mirë, çdo qëndrim në xhami me nijet afrimi tek Allahu, llogaritet itikaf.
    2. Sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, agjërimi nuk është kusht për saktësinë e itikafit, lejohet dhe i saktë është itikafi pa agjërim, megjithëse kur itikafit i bashkëngjitet agjërimi, kjo është më e mirë.

    Argument për këtë është rasti me Omerin i cili e pyeti Pejgamberin ﷺ dhe i tha: “Në kohën para Islamit isha zotuar që do të qëndroj në itikaf për një natë në Mesxhidil Haram (Xhaminë e Shenjtë – Qabe)!” Pejgamberi ﷺ i tha: ‘Realizoje zotimin tënd’.”[12] Po të ishte agjërimi kusht për saktësinë e itikafit, nuk do të lejohej gjatë natës qëndrimi në itikaf, ngase natën nuk agjërohet.

    1. Kushtet e saktësisë së itikafit janë: Islami, mendja, mosha e dallimit, nijeti, të jetë në xhami ku falet namazi me xhemat, përveç për gruan, asaj i lejohet në çdo xhami, dhënia e lejes nga burri për gruan e tij ose nga përgjegjësi i gruas për atë që nuk është e martuar si dhe, të qenët i pastër nga xhunubllëku, menstruacionet dhe lehonia.
    2. Kusht për saktësinë e itikafit është që të jetë në xhami ku falet namazi me xhemat.
    3. Nuk është kusht për saktësinë e itikafit që të jetë në xhami ku falet xhumaja, mirëpo, nëse ekziston mundësia të jetë në xhami ku falet xhumaja, kjo është më e mirë. Përndryshe, detyrohet të dalë nga xhamia ku qëndron dhe të shkojë për xhuma në xhami tjetër ku falet namazi i xhumasë dhe me këtë rast nuk prishet itikafi i tij, ngase dalja e tij është e domosdoshme.
    4. Përveçqë itikafi është i saktë në tri xhamitë që janë më të vlefshme, xhamia e Haremit në Meke, xhamia e Pejgamberit ﷺ në Medine dhe xhamia e Aksasë, po ashtu është i saktë edhe në xhami të tjera. Ky mendim është i shumicës së dijetarëve nga sahabët, tabi’inët, katër imamët dhe të tjerët, dhe kështu vepruan myslimanët gjatë të gjitha kohëve, bazuar në fjalët e Allahut: “Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami!” (El-Bekare: 187). Ajeti nuk e veçoi ndonjë xhami, prandaj itikafi lejohet në të gjitha xhamitë. Këtë mendim e kundërshtuan një pakicë nga dijetarët.
    5. Hadithi “Nuk ka itikaf, përveçse në tri xhamitë” nuk është hadith merfu’ (që i përfundon zinxhiri te Pejgamberi ﷺ), por është hadith meukuf (pra, fjalë nga sahabiu dhe zinxhiri përfundon te sahabiu dhe jo te Pejgamberi ﷺ) dhe e ka thënë Hudhejfe ibën El-Jeman h, por fjalën e tij e kundërshtuan dijetarët e mëdhenj të sahabëve. Disa nga dijetarët hadithin e vlerësuan si të saktë dhe thanë që për qëllim është se në këto tri xhami itikafi është më i plotë ose kuptimi tjetër i hadithit është se nuk lejohet zotimi për itikaf dhe të udhëtohet enkas për itikaf, përveçse në këto tri xhami.
    6. Itikafi në tri xhamitë (xhaminë e Haremit në Meke, xhaminë e Pejgamberit ﷺ në Medine dhe xhaminë e Aksasë në Palestinë) është më i mirë sesa në xhamitë e tjera, shkaku i ndershmërisë dhe i vlefshmërisë që e kanë.

    Më e mira nga to është Mesxhidul Harami në Meke, ku falja e një namazi në të është më e vlefshme se njëqind mijë namaze në xhamitë e tjera, dhe pas saj vjen xhamia e Pejgamberit ﷺ në Medine, ku falja e një namazi në të është më e mirë se një mijë namaze në xhamitë e tjera, përveç namazit në Mesxhidul Haram dhe pas saj vjen xhamia e Aksasë.

    1. Ai që zotohet të bëjë itikaf në njërën nga këto tri xhami, e ka për detyrë ta realizojë zotimin e tij dhe nuk i lejohet që të bëjë itikaf në të tjera xhami.

    Nëse është zotuar që itikafin ta bëjë në njërën nga tri xhamitë dhe ajo në vlerë është më e lartë se të tjerat dhe e përcakton me emër, si p.sh. në Mesxhidul Haram, e ka patjetër ta bëjë itikafin në këtë xhami dhe nuk i pranohet në xhami tjetër.

    Nëse është zotuar që itikafin ta bëjë në njërën nga tri xhamitë dhe ajo në vlerë është më e ulët se të tjerat dhe e përcakton me emër, i lejohet atij që itikafin ta bëjë edhe në xhamitë që janë më të mëdha në vlerë se ajo që është zotuar. Shembull: është zotuar që itikafin ta bëjë në xhaminë e Aksasë, atij i lejohet që itikafin ta bëjë edhe në xhaminë e Pejgamberit ﷺ ose në Mesxhidul Haram. Kurse, ai i cili zotohet që itikafin ta bëjë në xhaminë e Pejgamberit ﷺ atij i lejohet që të qëndrojë për itikaf në xhaminë e Pejgamberit ﷺ ose në  Mesxhidul Haram në Meke.

    1. Kush zotohet që ta falë namazin ose ta bëjë itikafin jashtë këtyre tri xhamive, nuk e ka për obligim që ato t’i veprojë në xhaminë që e ka përcaktuar, por pranohen dhe të sakta janë në cilëndo xhami që veprohen.
    2. Çdo gjë që e merr dispozitën e xhamisë, atij që qëndron në itikaf, i lejohet të hyjë në të, ose të hipën në të, ose të qëndrojë në të, sikurse në oborrin e xhamisë, tarracën dhe minaren e saj, sepse këto të gjitha janë pjesë e xhamisë dhe e marrin dispozitën e xhamisë.
    3. Atij që qëndron në itikaf, i lejohet të dalë në oborrin e xhamisë ose të qëndrojë për itikaf në të, nëse oborri është i lidhur me xhaminë dhe i rrethuar me të, ngase llogaritet si pjesë e xhamisë dhe i merr dispozitat e xhamisë. Nëse oborri është i ndarë nga xhamia, nuk e merr dispozitën e xhamisë dhe nuk lejohet të dalë apo të qëndrojë në të.
    4. Dhomat që janë në kuadër të xhamisë dhe me dyer të hapura për qarkullim, e marrin dispozitën e xhamisë, prandaj itikafi ose hyrja në to lejohet, sepse llogariten pjesë e xhamisë.

    Ndërsa nëse ato janë të ndërtuara jashtë xhamisë, itikafi nuk është i saktë dhe nuk lejohet në to, edhe nëse dyert i kanë brenda xhamisë.

    1. Ai që dëshiron të qëndrojë në itikaf i lejohet të rezervojë për të një vend të posaçëm në xhami qoftë ajo një dhomë e vogël, qosh ose të ngjashme me to.
    2. Itikafi është i pëlqyer si për burrat ashtu edhe për gratë. Vendi ku qëndrojnë gratë për itikaf duhet të jetë i posaçëm për to dhe sa më larg burrave, si paramburojë për to ose për të tjerët nga sprovat e ndryshme, ose të mos vihen në vështirësi gjatë qëndrimit të tyre në itikaf.

    Nënat e besimtarëve l qëndronin në itikaf me të Dërguarin e Allahut ﷺ duke qenë i gjallë, si dhe qëndronin në itikaf pas vdekjes së tij ﷺ.

    1. Nuk lejohet për gruan që të qëndrojë në itikaf ose të zotohet të qëndrojë në itikaf, përveçse me lejen e burrit të saj, sepse itikafi i saj e largon atë nga dhënia e hakut që e ka ndaj burrit të saj.
    2. Nëse burri ia jep lejen gruas të qëndrojë në itikaf, ai e ka edhe atë të drejtë që ta ndryshojë mendimin e tij, ta kthejë lejen dhe gruan ta nxjerrë nga itikafi, nëse itikafi i saj është vullnetar. Kurse, nëse itikafi i saj është për shkak të zotimit, ajo detyrohet ta plotësojë atë, ngase itikafi i saj është i obliguar që nga momenti i nisjes dhe burri në këtë rast nuk ka të drejtë që ta nxjerrë nga itikafi, pasi i ka dhënë leje të qëndrojë në të.
    3. Gruaja lejohet ta bëjë itikafin në çdo xhami dhe nuk është kusht për saktësinë e itikafit të saj të jetë në xhami ku falet namazi me xhemat, sepse ajo nuk e ka për detyrim namazin me xhemat.
    4. Gruaja, nëse për itikaf qëndron në faltoren e shtëpisë së saj, itikafi i saj nuk është i saktë, sepse itikafi bëhet veç në xhami, kurse faltorja në shtëpinë e saj nuk llogaritet xhami, shkaku se ajo nuk është ndërtuar për faljen e namazit në të dhe nuk e merr dispozitën e xhamisë. Gratë e Pejgamberit ﷺ itikafin e bënin në xhaminë e Pejgamberit ﷺ dhe, sikur të ishte më mirë që ato të qëndrojnë në itikaf diku tjetër, e jo aty, do t’i udhëzonte Pejgamberi ﷺ që të shkojnë në vend tjetër dhe do t’ua ndalonte që itikafin ta bëjnë në xhaminë e tij ﷺ.
    5. Kush dëshiron të qëndrojë për në itikaf në dhjetëshin e fundit në Ramazan, duhet të hyjë në xhami para se të perëndojë dielli në natën e 21-të, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, dhe të dalë nga xhamia pasi të perëndojë dielli në ditën e fundit të Ramazanit. Nëse Ramazani është tridhjetë ditë, itikafi përfundon me thirrjen e ezanit të akshamit, përndryshe (në natën e 29-të) duhet të presë derisa të vërtetohet pamja e hënës.
    6. Për atë që qëndron në itikaf në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, disa nga të parët tanë e pëlqyen që ai të flejë në xhami edhe në natën e Bajramit, pastaj në mëngjes të dalë nga xhamia dhe të shkojë në faltoren e Bajramit.
    7. Kush dëshiron që të hyjë në itikaf duhet të jetë i pastër nga xhunubllëku, menstruacionet dhe lehonia. Këtyre u ndalohet qëndrimi në xhami, kurse kuptimi i itikafit është të qëndrohet në xhami.
    8. Nëse gjatë qëndrimit në itikaf njeriu bëhet xhunub në gjumë, nuk prishet itikafi i tij dhe atij nuk i lejohet të qëndrojë ashtu në xhami, por duhet të pastrohet dhe pastaj ta vazhdojë itikafin e tij.
    9. Gruas gjatë qëndrimit të saj në itikaf, nëse i vijnë menstruacionet, asaj i ndalohet të qëndrojë në xhami. Ajo duhet të dalë nga xhamia dhe të shkojë në shtëpinë e saj. Me këtë nuk e prish itikafin e saj. Pasi të pastrohet nga menstruacionet, mund të kthehet prapë në xhami dhe ta vazhdojë itikafin e saj.
    10. Itikafin e prish dhe të pavlefshëm e bën dalja nga xhamia pa nevojë, marrëdhëniet intime, bërja xhunub duke iu afruar gruas (me prekje dhe fërkime) ose masturbimi, humbja e mendjes me çmenduri ose dehje dhe të ngjashme me to, ndërprerja e nijetit për të qëndruar në itikaf si dhe dalja nga feja ose të bërit renegat, Allahu na ruajttë!
    11. Gjatë itikafit lejohet dalja nga xhamia për gjërat që njeriut i nevojiten, sikurse dalja për kryerjen e nevojës, sjelljen e ushqimit, nëse nuk ka kush t’ia sjellë në xhami, për abdes dhe për pastrim nga xhunubllëku, për blerjen ose sjelljen e ilaçeve, nëse nuk ka kush t’ia sjellë në xhami dhe të ngjashme me to. Dalja e tillë nuk e prish itikafin. Gjatë daljes duhet të shikojë që nevojat t’i kryejë në vendet sa më të afërta dhe nuk lejohet të shkohet sa më larg xhamisë, nëse ka hapësirë që ato të kryhen afër xhamisë.
    12. Porositë për ushqim nga restoranti nuk lejohet të bëhen nga xhamia, sepse kjo bën pjesë në shitblerje, kurse shitblerja ndalohet në xhami. Ai mund të dalë jashtë xhamisë të telefonojë dhe të porosisë e, kur të vijë ushqimi, faturën e paguan dhe ushqimin e merr jashtë xhamisë.
    13. Nuk ka pengesë për atë që qëndron në itikaf një pjesë të trupit të tij ta nxjerrë jashtë xhamisë, kjo nuk e prish itikafin e tij, si: ta nxjerrë kokën ose këmbën e tij jashtë xhamisë, ndërsa pjesa tjetër e trupit të jetë brenda xhamisë, bazuar në hadithin e Aishes i e cila thotë: “Pejgamberi ﷺ e nxirrte kokën e tij nga xhamia në shtëpinë tonë dhe ia krihja flokët.”[13]
    14. Gjatë qëndrimit në itikaf, kush bën marrëdhënie intime me gruan e vet, itikafi i tij bëhet i pavlefshëm, dhe nuk e ka për detyrë që itikafin e tij ta kompensojë ose ta shpaguajë, përveçse kur itikafi i tij është i obliguar, në këtë rast detyrohet kompensimi.

    Allahu thotë: “Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami!” (El-Bekare: 187)

    1. Prekjet dhe fërkimet pa epsh, sikurse kur gruaja i dërgon burrit diçka ose e përshëndet për dore, nuk e prishin itikafin. Aisha i thotë: “Pejgamberi ﷺ e nxirrte kokën e tij nga xhamia në shtëpinë tonë dhe ia krihja flokët.”[14]
    2. Kush i afrohet gruas së tij, por jo në organin gjenital, dhe bëhet xhunub, itikafi i tij bëhet i pavlefshëm, kurse nëse nuk bëhet xhunub, itikafi i tij është i vlefshëm dhe nuk prishet.

    Nëse bëhet xhunub në gjumë ose bëhet xhunub shkaku i mendimeve, nuk prishet itikafi i tij, ai duhet të pastrohet dhe ta plotësojë itikafin e tij.

    1. Gjatë itikafit njeriut nuk i lejohet të shkojë ta vizitojë të sëmurin, të prezentojë në xhenaze, t’i përgjigjet ftesës për dasmë, t’i kryejë nevojat e familjes së tij ose të shkojë në punë, sepse këto vepra e bëjnë të pavlefshëm itikafin e tij.

    Përcillet me një transmetim të saktë që Aisha i ka thënë: “Për atë që qëndron në itikaf sunet është që të mos e vizitojë të sëmurin, as të prezentojë në xhenaze, të mos i afrohet gruas, as të dalë nga xhamia për ndonjë nevojë, përveç nëse e ka të patjetërsueshme”[15]

    1. Shumica e dijetarëve e lejojnë që njeriu ta kushtëzojë qëndrimin e tij në itikaf, me kusht që kushtëzimi të jetë në saje të së lejuarës dhe të mos jetë gjë që e mohon synimin dhe vlefshmërinë e itikafit, si: marrëdhëniet intime, dalja nga xhamia për shëtitje ose tregti etj.

    Prandaj, lejohet që njeriu para se të hyjë në itikaf, të vendosë kusht që nëse i ndodh diçka, të dalë nga itikafi, si: të dalë për të ngrënë ushqim në shtëpi, ta vizitojë të afërmin e sëmurë, të prezentojë në xhenazen e ndonjërit prej prindërve ose të afërmve, dhe të ngjashme me to.

    Dobia nga vendosja e kushtit është se itikafi nuk prishet kur njeriu e vepron atë që e ka vendosur si kusht para se të hyjë në itikaf dhe ai vazhdon të llogaritet në itikaf. Nëse itikafi i tij është i obligueshëm për shkak të zotimit, edhe në këtë rast periudha ose koha që del nga xhamia nuk duhet të kompensohet.

    Mosvendosja e kushtit është më e mirë, me këtë i ikën edhe mospajtimit të dijetarëve që e kanë në mes tyre për saktësinë e vendosjes së kushtit në itikaf dhe kjo është më e përafërt me synimin e itikafit, a, nëse i ndodh diçka që e ka të patjetërsueshme të dalë nga itikafi, del nga xhamia dhe më pas kthehet dhe e vazhdon itikafin e tij.

    1. Itikafi nuk prishet me mëkate, si: përgojimi, bartja e fjalëve, gënjeshtra dhe të tjera. Këto janë të ndaluara në itikaf dhe jashtë itikafit, mirëpo bien në kundërshtim me synimin e itikafit, pakësojnë nga shpërblimi i tij, ndërsa ai që i vepron, bën gjynah.
    2. Kush e prish itikafin e tij pasi ka hyrë në të, pëlqehet që ta kompensojë atë, edhe pse kjo nuk është detyrim. Është vërtetuar që Pejgamberi ﷺ kur një herë e la itikafin e dhjetëshit në Ramazan, e kompensoi me dhjetë ditë të tjera në muajin Sheval.[16]
    3. Ndërsa ai që e prish itikafin e obligueshëm për shkak të zotimit, pasi ka hyrë në të, detyrohet ta kompensojë atë që ka mbetur prej tij.
    4. Kush është zotuar për itikaf dhe ka ndërruar jetë para se ta realizojë zotimin e tij, pëlqehet që përgjegjësi i tij ta kompensojë për të, duke u bazuar në hadithin e Sad ibën Ubade h i cili e pyeti Pejgamberin ﷺ dhe i tha: “Nëna ime ka ndërruar jetë dhe i ka mbetur borxh zotimi i saj.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Realizoje zotimin e saj për të.”[17]
    5. Gjatë qëndrimit në itikaf pëlqehet:

    – Angazhimi me adhurime e vepra që të afrojnë tek Allahu dhe që mund t’i veprojë ai që gjendet në itikaf, si: falja e namazit, leximi i Kuranit, dhikri, duaja, istigfari, dërgimi i salavateve për Pejgamberin e Allahut ﷺ dhe vepra të tjera që e afrojnë tek Allahu.

    – Largimi nga debatet dhe polemikat, nga thëniet dhe veprat që nuk ka në to dobi si dhe nga të folurit e tepërt pa nevojë.

    – Shkëputja e lidhjeve me dynjanë dhe preokupimet e saj, me jetën dhe kënaqësitë e saj, pakësimi nga gjërat e lejuara, shtimi i asketizmit në dynja dhe të vetmuarit me Allahun.

    – Përkujdesja për veprat e zemrës, si: sinqeritetin, dashurinë, shpresën, mbështetjen në Allahun, nënshtrimin, falënderimin, dhe të tjerat, si dhe përkujdesja për ta përmirësuar të jashtmen (veprat e gjymtyrëve) dhe të brendshmen (veprat e zemrës) duke e drejtuar myslimani fytyrën e tij kah Allahu, me sinqeritet, i përulur i nënshtruar para Duarve të Tij, me dashuri dhe përkushtim të plotë. E falënderon dhe e lavdëron Allahun, kërkon falje për të këqijat e tij dhe prej Allahut kërkon ndihmë dhe mbrojtje nga to dhe i mbështetet vetëm Atij. Allahut i frikësohet dhe Allahun e shpreson, tek Ai frika dhe shpresa janë sikurse dy krahët e zogut, në rehati e shton anën e frikës, kurse shpresa dominon në momentet e daljes së shpirtit: “…e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij…” (Ez-Zumer: 9). Ai e shpreson mëshirën dhe Xhenetin e Allahut, dhe shpresës së tij ia bashkëngjit veprën e mirë që e kënaq Allahun, duke llogaritur për ato vepra në shpërblimin e Allahut.

    1. Gjendja e atij që qëndron në itikaf nuk duhet të jetë sikurse gjendja e atij që është jashtë xhamisë, por itikafi i tij duhet të jetë: vetmi me Zotin, përmirësim për zemrën, rishikim dhe llogari e vetvetes, përkujdesje për kohën, forcim i raporteve me Allahun, mbrojtje për agjërimin, edukim në sinqeritet, mosteprim në gjëra të lejuara dhe asketizëm në dynja.
    2. Gjatë qëndrimit në itikaf lejohet: krehja e flokëve, rruajtja e kokës, shkurtimi i thonjve, larja e trupit, pastrimi i trupit, parfumosja, veshja e rrobave më të bukura, ngrënia dhe pirja në xhami duke u përkujdesur për pastërtinë e xhamisë.
    3. Gruas i lejohet që ta vizitojë burrin e saj në itikaf dhe të vetmohet me të. Pasi ajo të dalë nga xhamia, nëse ka nevojë burri mund të dalë nga itikafi dhe ta përcjellë deri në shtëpi, itikafi i tij në këtë rast nuk prishet. Sipas nevojës, lejohen familjarët dhe shoqëria e tij ta vizitojnë në itikaf.
    4. Gjatë qëndrimit në itikaf bëhen disa gabime dhe ndër to, numërojmë:

    – Gjumi i tepërt gjatë ditës, ndeja deri vonë natën, mirëpo jo për adhurim, mosngritja për ta falur namazin e sabahut.

    – Mosbraktisja e të folurit të tepërt, teprimi me tallje dhe biseda, të folurit joserioz me shumë shaka, rënia në përgojim dhe ndalesa, mospërkujdesja për shenjtërinë e kohës dhe vendit.

    – Teprimi në përdorimin e celularit, shfletimi i faqeve dhe rrjeteve sociale, telefonatat e shumta, marrja me punët dhe bizneset prej vendit ku qëndron në itikaf.

    – Vizitat e shpeshta nga familjarët e shokët dhe bërja e vendit të itikafit si vend për pritjen e vizitorëve. Kjo bie në kundërshtim me itikafin profetik.

    – Teprimi në ushqim e pije dhe dëmtimi i namazfalësve me erën e ushqimit.

    – Mospërkujdesja për pastërtinë e xhamisë dhe rregullave të saj.

    – Angazhimi me libra dhe leximin e tyre në vend se t’u jepet prioritet ibadeteve dhe nënshtrimeve.

    – Këmbëngulja për të qëndruar në itikaf, qoftë edhe në llogari të lënies së gjërave detyruese, si: kryerja e nevojave familjare, përkujdesja për prindërit, dalja për kërkimin e riskut, e të ngjashme me to.

    E lusim Allahun të na japë mbarësi në atë që Ai e do e që Atë e kënaq dhe e lusim që t’i pranojë nga ne veprat e mira! Amin!

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Pjesë e librit : “Udhërrëfyes për muajin e Ramazanit”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

    [1] “Akif “ i thuhet atij që është i dhënë pas diçkaje, ose ai që jeton i vetmuar. (sh.p.)

    [2] “Muatekif” i thuhet atij që qëndron në një vend, ose nuk del nga vendi, ose i jepet tërësisht diçkaje. (sh.p.)

    [3] Shih: Zadul Mead, Ibën El-Kajim (2/82). Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 190, 191).

    [4] Buhariu (2026), Muslimi (1172).

    [5] Buhariu (2033), Muslimi (1172).

    [6] Shënon Ed-Dejlemij, shejh Albani e vlerësoi si të dobët në Daif El-Xhami’ (5452).

    [7] Imam Bejhakiu në Shuab El-Iman (3680), dhe e vlerësoi si të dobët, dhe shejh Albani tha: Hadith i shpikur. Shih: Es-Silsiletu Ed-Daife (518).

    [8] Mesail Ebu Davud (fq. 137).

    [9] Buhariu (2032), Muslimi (1656).

    [10] Fet’hul Bari, Ibën Haxher (3/285).

    [11] Buhariu (2026), Muslimi (1172).

    [12] Buhariu (2032), Muslimi (1656).

    [13] Buhariu (2029), Muslimi (297).

    [14] Buhariu (2029), Muslimi (297).

    [15] Ebu Davudi (2473).

    [16] Buhariu (2033), Muslimi (1172).

    [17] Buhariu (2761), Muslimi (1638).

  • DHJETË NETËT E FUNDIT DHE NATA E KADRIT

    DHJETË NETËT E FUNDIT DHE NATA E KADRIT

    1. Allahu i dalloi krijesat ndërmjet tyre në vlerë dhe disa i ngriti në shkallë të larta karshi disa të tjerave. Nga ditët dhe muajt i favorizoi disa karshi të tjerëve; dhjetë ditët e para të muajit Dhulhixhe janë ditët më të mira të dynjasë, dita e xhuma është dita më e mirë e javës, muaji Ramazan është muaji më i mirë karshi muajve të tjerë, ndërsa nga netët; dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë netët më të mira, kurse nata më e mirë nga to është nata e Kadrit, e cila është edhe më e mirë se një mijë muaj.
    2. Profeti ﷺ në dhjetëshin e fundit përpiqej në ibadet deri në maksimum, e kërkonte natën Kadrit dhe mirësitë e saj, ashtu siç përcjell Aishja i e cila thotë: “Profeti ﷺ në dhjetëshin e fundit përpiqej në ibadet më shumë se në çdo ditë tjetër.”[1]

    Si dhe (Aisha i) thoshte: “Profeti ﷺ kur hynte dhjetëshi i fundit, e shtrëngonte izarin[2] e tij, e ngjallte natën (me ibadet) dhe e zgjonte familjen e tij”; me një transmetim tjetër që e shënon imam Muslimi: “e shtrëngonte izarin (rripin) dhe përpiqej (në ibadet).”[3]

    “E shtrëngonte izarin (rripin)”; është për qëllim që në dhjetëshin e fundit përpiqej dhe mundohej në ibadet më shumë se që e kishte zakon në ditët e tjera. Thuhet, njashtu, që për qëllim është se largohej nga gratë dhe nuk u afrohej atyre në këto net dhe merrej me ibadet.

    1. Dhjetëshi i fundit i muajit Ramazan është treg i madh, ku garojnë të mirët dhe përpiqen në të adhuruesit dhe i afrohen Allahut me ibadete dhe nënshtrime të llojllojshme. Myslimani përkujdeset që Ramazanin ta përfundojë me veprat më të mira dhe më të vlefshme, sepse “Veprat vlerësohen sipas përfundimit.”[4] Kur garojnë kuajt në mes tyre, në fund të garës e japin maksimumin dhe atë më të mirën e tyre.

    Prandaj, në këto ditë dhe net myslimani e sheh vazhdimisht duke u falur, duke lexuar Kuran, duke e përmendur Allahun, duke bërë lutje, i përulur dhe i nënshtruar, nuk dëshiron që t’ia tejkalojë askush për në vepra të mira që e afrojnë tek Allahu.

    Ebu Othman En-Nehdij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Të parët tanë të mirë i madhështonin tri dhjetëshe: dhjetëshin e fundit të Ramazanit, dhjetëshin e parë të muajit të Dhulhixhes dhe dhjetëshin e parë të muajit Muharrem.”[5]

    1. Netët e dhjetëshit të fundit të Ramazanit janë më të mira sesa ditët e tij, shkaku i përfshirjes së natës së Kadrit në to, edhe pse, në përgjithësi, në vlerën e dhjetëshit të fundit dhe të vepruarit në to përfshihet edhe nata edhe dita e këtyre ditëve.
    2. Itikafi në dhjetëshin e fundit është sunet dhe vepër e mirë që të afron tek Allahu. E veproi Profeti ﷺ dhe pas vdekjes së tij e vepruan edhe sahabët.

    Myslimani pëlqehet që itikafin ta bëjë në atë xhami ku falet xhumaja, me nijet që të qëndrojë në të dhe t’i afrohet Allahut me ibadet duke u shkëputur nga dynjaja dhe preokupimet e saj, nga jeta dhe kënaqësitë e saj, duke u vetmuar me Allahun dhe duke e angazhuar veten me namaz, lexim të Kuranit dhe përmendje të Allahut, duke u larguar nga harami dhe nga ajo që nuk i intereson nga fjalët dhe veprat.

    Itikafi i tij, pra duhet të jetë vetmi me Zotin, përmirësim për zemrën, rishikim dhe llogari e vetvetes, përkujdesje për kohën, forcim i raporteve me Allahun, mbrojtje për agjërimin, edukim në sinqeritet, mosteprim në gjëra të lejuara dhe asketizëm në dynja.

    1. Kurani është fjala, shpallja dhe mesazhi i Allahut te krijesat e Tij, nëpërmjet tij rriten shkallët dhe shtohen të mirat, prandaj duhet që në dhjetëditshin e fundit të shtohet leximi i tij dhe ta përfundojë myslimani leximin e tij (të bëjë hatme) sa më shpesh. Të parët tanë të mirë e përfundonin leximin e Kuranit çdo tri ose çdo shtatë net, ndërsa, kur hynin në dhjetëshin e fundit, ishin disa që e përfundonin për çdo natë.
    2. Fjalën e Profetit ﷺ: “Kush e bën hatme Kuranin për më pak se tre ditë, nuk e kupton atë”[6], dijetarët thonë se për qëllim është nëse bëhet në vazhdimësi, kurse në kohë të vlefshme, sikurse muaji i Ramazanit e, në veçanti, dhjetë ditët e fundit, ose vende të vlefshme, sikurse në Meke për vizitorin dhe jo për vendasin e saj, pëlqehet shpeshtimi i leximit të Kuranit me qëllim që të shfrytëzohet koha apo vendi. Kjo është thënie e imam Ahmedit dhe Is’hak Er-Rahavejh dhe të tjerëve, si dhe këtë mendim e përforcon të vepruarit e të tjerëve kësisoji.[7]
    3. Duaja është ibadet dhe arma e besimtarit, gjëja më e ndershme tek Allahu si dhe zbatim i urdhrit të Allahut: “Zoti juaj ka thënë: ‘Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem’!” (Gafir: 60)

    Agjëruesi në dhjetëshin e fundit pëlqehet të bëjë sa më shumë dua, duke qenë i përulur, i nënshtruar, duke e shprehur varfërinë e tij para Allahut, duarngritur, i drejtuar kah Kibla, i pastër nga jashtë (trupi) dhe brenda (shpirti), me zemër jo të shkujdesur gjatë lutjes, paraprakisht duke u ushqyer me hallall, duke qenë i sinqertë në kërkesën e tij, duke u lutur në kohët e vlefshme kur pranohet duaja, me fjalë gjithëpërfshirëse, me insistim në lutje dhe duke u lutur me frikë dhe shpresë. E si të refuzohet ai që i lutet Allahut në këtë gjendje?!

    Lute Allahun që lutjet e tua t’i pranojë dhe kujdesi yt që veprat të pranohen tek Allahu të jetë shumë më i madh sesa kujdesi yt për veprën, dhe ndoshta do të përfshihesh në ajetin: “dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” (El-Muminun: 60). Të tillët janë “ata që agjërojnë, falen, japin lëmoshë, por njëkohësisht frikohen se veprat e tyre nuk do t’u pranohen”: “ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët.” (El-Muminun: 61)[8]

    1. Pëlqehet në dhjetëshin e fundit, në ditët dhe netët e saj, që myslimani t’i shtojë adhurimet dhe veprat e mira që nëpërmjet tyre shpresohet t’i falen gjynahet dhe të çlirohet robi nga zjarri i Xhehenemit. Nga ato vepra është: shpeshtimi i ‘tehlilit’ (shqiptimit të fjalës la ilahe il-lallah); ngase dëshmia e teuhidit (njësimit të Allahut) “i rrënon mëkatet dhe i fshin ato dhe nuk lë asnjë mëkat dhe nuk ka vepër të ngjashme sikurse ajo. Është e barabartë në shpërblim sikurse e çliron një skllav, kurse kjo vepër e detyron çlirimin nga zjarri i Xhehenemit, dhe ai që e shqipton me sinqeritet nga zemra e tij Allahu, ia ndalon zjarrin e Xhehenemit atij.”[9]
    2. Shpërblimi vjen sipas llojit të veprës, andaj kush e çliron një skllav, Allahu e çliron atë nga zjarri i Xhehenemit: “Kushdo që e çliron një skllav (rob) mysliman, për çdo organ të çliruar të tij, Allahu e shpërblen njëlloj duke ia çliruar organet e tij nga zjarri i Xhehenemit.”[10] Prandaj, disa nga të parët tanë në fund të Ramazanit e çlironin nga robëria skllaven më të bukur që e kishin dhe shpresonin që me çlirimin e saj ta fitonin çlirimin e Allahut nga zjarri i Xhehenemit.[11]

    Me shpeshtimin e përmendjes së Allahut me tehlil (me shqiptimin e fjalës la ilahe il-llah) dhe me realizimin e teuhidit, myslimani shpërblehet njëlloj sikurse me shpërblimin e çlirimit të skllevërve, kurse kjo e fundit e obligon çlirimin nga zjarri i Xhehenemit. Me një hadith Profeti ﷺ thotë: “Kush thotë ‘la ilahe il-llah, uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu, ue huve ala kul-li shejin kadir (nuk i takon askujt adhurimi me të drejtë përveçse Allahut, të Vetëm e i Parival, Atij i takon Pushteti dhe Falënderimi dhe Ai është i Gjithëfuqishëm mbi çdo gjë)’, në ditë njëqind herë; është e barabartë me çlirimin e dhjetë skllevërve, i shkruhen atij njëqind të mira dhe i fshihen njëqind të këqija, është i mbrojtur nga shejtani gjatë ditës derisa të vijë nata, dhe nuk ka vepruar më mirë askush se ky person, përveç atij që vepron më shumë se ky.”[12]

    1. Kush gjendet afër Qabesë dhe e ka mundësinë të bëjë tavaf, le ta bëjë atë, sepse kjo është e barabartë me çlirimin e një robi: “Kush bën tavaf (sillet rreth Qabesë) shtatë herë dhe i plotëson ato si duhet (duke i respektuar kushtet dhe rregullat) është e njëllojtë sikurse ta çlirojë një skllav.”[13]
    2. Myslimani pëlqehet që t’i shpeshtoje lutjet me çlirim nga zjarri i Xhehenemit, me shpresë që, ndoshta, Allahu do ta lirojë atë. Me një hadith Pejgamberi ﷺ thotë: “Allahu çliron robër të Tij në Ramazan për çdo ditë dhe natë, dhe çdonjëri nga ta e ka një lutje të pranuar.”[14]
    3. Myslimani pëlqehet që Ramazanin ta përfundojë duke e shpeshtuar istigfarin (kërkimfaljen) në dhjetëshin e fundit. Istigfari është lutje për falje dhe lutja e agjëruesit është e pranuar kur agjëron dhe kur çel iftar.

    Istigfari vjen në fund të veprave të mira, me të përfundohet namazi, haxhi, namazi i natës dhe me të përfundohen mexhliset, prandaj myslimani duhet që agjërimin e tij të Ramazanit ta përfundojë me istigfar.

    Kjo ishte arsyeja e letrës që e shkroi Omer ibën Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, dhe ua dërgoi vendeve të ndryshme dhe i urdhëroi banorët e saj që Ramazanin ta përfundojnë me istigfar dhe me dhënien e zekatit të fitrave, sepse fitrat janë pastrim për agjëruesin nga gabimet në të folurit dhe nga fjalët e ndyra, kurse istigfari e arnon atë që e djegin gabimet në të folur dhe fjalët e ndyta nga agjërimi.[15]

    1. Istigfari më i dobishëm është ai që veprohet paralel me pendimin, duke i braktisur mëkatet, duke ndier keqardhje për veprimin e tyre, duke qenë i këmbëngulur për të mos iu kthyer më, si dhe duke i kthyer padrejtësitë te pronarët e tyre, nëse mëkati ka lidhje me njeriun.
    2. Përkujdesja për ta përmirësuar të jashtmen (veprat e gjymtyrëve) dhe të brendshmen (veprat e zemrës) gjatë dhjetëshit të fundit është më se e nevojshme, ngase vepra e zemrës është themeli i çdo të mire dhe bamirësie. Prandaj, myslimani e drejton fytyrën e tij kah Allahu, me sinqeritet, i përulur i nënshtruar para Duarve të Tij, me dashuri dhe përkushtim të plotë.

    E falënderon dhe e lavdëron Allahun, kërkon falje për të këqijat e tij dhe prej Allahut kërkon ndihmë dhe mbrojtje nga to dhe i mbështetet vetëm Atij. Allahut i frikësohet dhe Allahun e shpreson, tek ai frika dhe shpresa janë sikurse dy krahët e zogut, në rehati e shton anën e frikës, kurse shpresa dominon në momentet e daljes së shpirtit: “…e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij…” (Ez-Zumer: 9). Ai e shpreson mëshirën dhe Xhenetin e Allahut, dhe shpresës së tij ia bashkëngjit veprën e mirë që e kënaq Allahun, duke llogaritur për ato vepra në shpërblimin e Allahut.

    1. Nata e Kadrit është natë e bekuar. Ajo është nata më e mirë e vitit dhe ajo është më e mirë se një mijë muaj. Në këtë natë ka zbritur Kurani përnjëherë i tëri nga libri amzë ‘Levhi Mahfudhi’ në qiellin e dynjasë që quhet ‘Bejtul Izzeh’. Ai që e qëllon këtë natë dhe mirësinë e saj, vetëm se e ka qëlluar tërë mirësinë, dhe kush ngrihet atë natë (për namaz nate) me bindje dhe me llogari në shpërblimin e Allahut, i falen gjynahet e mëhershme, kurse ai që privohet nga mirësia e saj, vetëm se është privuar nga mirësia në tërësi.

    Allahu thotë: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” (El-Kadr: 1-5). Dhe për Kuranin Allahu thotë: “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.” (Ed-Duhan: 3)

    I Dërguari i Allahut ﷺ thotë: “Kush ngrihet (për namaz nate) në natën e Kadrit me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[16]

    “Me besim” d.m.th. me bindje të plotë që kjo është e vërtetë dhe adhurim, dhe se Allahu është Ai që e bëri të ligjshëm ngritjen në këtë natë (për namazin e natës) dhe nxiti për në të.

    “Llogarit në shpërblimin e Allahut” d.m.th. e kërkon shpërblimin nga Allahu, prandaj me vullnet ngrihet natën dhe e shpreson shpërblimin e Allahut, me shpirtmirësi dhe kënaqësi në shpirt, nuk e llogarit të rëndë dhe të mundimshëm ngritjen në këtë natë, dhe atë e kryen me sinqeritet vetëm për Allahun.

    Po ashtu, i Dërguari i Allahut ﷺ thotë: “Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaj i bekuar… Në të është një natë më e mirë se një mijë muaj, kush privohet nga kjo natë është privuar nga mirësia në tërësi.”[17]

    1. Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, u pyet se cila është më e vlefshme, nata e Kadrit ose nata e Israsë kur Pejgamberi ﷺ u ngrit në qiell?

    U përgjigj: “Nata e Israsë është më e vlefshme te Pejgamberi ﷺ kurse nata e Kadrit është më e vlefshme për sa i përket umetit. Nata e Israsë u veçua shkaku i Pejgamberit ﷺ prandaj mirësia e kësaj nate te Pejgamberi ﷺ është më e plotë sesa mirësia e natës së Kadrit. Kurse, mirësia e umetit në natën Kadrit është më e plotë sesa mirësia e tyre në natën e Israsë dhe Miraxhit, edhe pse ata kanë mirësi shumë të madhe në të, prapëseprapë mirësia, nderi dhe grada e lartë u arrit në atë që u ngrit me të Pejgamberi ﷺ.”[18]

    1. Nata e Kadrit është quajtur me këtë emër shkaku i madhështisë, peshës dhe vlerës së madhe që e ka kjo natë tek Allahu. Kjo natë llogaritet e madhe dhe me vlerë sepse në të zbriti Kurani, ose, sepse në këtë natë zbresin melekët, ose, sepse në këtë natë zbresin bereqeti, mëshira dhe falja, ose, sepse ai që e gjallëron këtë natë me ibadet, bëhet vetë me vlerë më të madhe.

    Disa të tjerë thonë që llogaritet natë e madhe, sepse Allahu e përcakton atë që dëshiron nga përcaktimet e Tij për një vit, pra deri në natën e Kadrit të vitit që vjen. Disa të tjerë thanë që ka edhe shkaqe të tjera jashtë këtyre që u cekën.[19]

    1. Ai që i afrohet Allahut me ibadet dhe me nënshtrime në natën e Kadrit, do të fitojë shpërblime shumë të mëdha.

    Allahu thotë: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” (El-Kadr: 3). Kuptimi i ajetit është se vepra e mirë që veprohet në natën e Kadrit është më e mirë sesa vepra e më shumë se një mijë muajve ku në të nuk është nata e Kadrit, d.m.th. që ibadeti në natën e Kadrit është më i mirë sesa ibadeti në një mijë muaj.[20]

    “Vepra e mirë e vepruar në një natë, të jetë më e mirë sesa vepra në një mijë muaj, që i bie të jetë ekuivalent me jetën e një njeriu që vepron për më shumë se tetëdhjetë vjet, është dhunti e Allahut që mendjet e njerëzve i mahnit dhe i lë pa fjalë dhe është dhunti që Allahu ia dha këtij umeti të dobët që të forcohet.”[21]

    1. Nata e Kadrit është në dhjetëshin e fundit të muajit Ramazan dhe lëviz brenda këtyre ditëve dhe ajo do të ekzistojë për çdo vit deri në Kiamet. Prandaj, myslimani duhet të përpiqet ta kërkojë në dhjetëshin e fundit, duke e shpresuar shpërblimin dhe sevapin e Allahut dhe duke e shfrytëzuar mirësinë e saj, ashtu siç Pejgamberi ﷺ thotë: “M’u tregua nata e Kadrit, por pastaj m’u harrua, andaj kërkojeni në dhjetëshin e fundit në ditët tek.”[22]
    2. Nata e Kadrit është në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, në ditët tek, dhe ajo lëviz dhe nuk mund të specifikohet me një natë të veçantë në asnjë vit. Në ndonjë vit mund të jetë në natën e 27-të, në vitin tjetër në natën e 21-të, në ndonjë vit tjetër në natën e 23-të ose në natë tjetër, ashtu siç erdhi në hadith: “Kërkojeni në dhjetëshin e fundit në ditët tek.”[23]
    3. Pëlqehet që nata e Kadrit të kërkohet në shtatëditëshin e fundit të dhjetëshit të fundit të Ramazanit, sepse shpresohet që në këto ditë më shumë të jetë nata e Kadrit karshi netëve të tjera, bazuar në hadithin e Profetit ﷺ i cili tha: “Shoh që ëndrra juaj përputhet me shtatë ditët e fundit, prandaj kushdo që e kërkon natën e Kadrit, le ta kërkojë në shtatëditëshin e fundit të Ramazanit.” Në një transmetim që e shënon imam Muslimi: “Kërkojeni në dhjetëditëshin e fundit e, nëse ndokush prej jush ligështohet ose është i pafuqishëm, kërkojeni në shtatëditëshin e fundit.”[24]

    Shtatë ditët e fundit fillojnë nga nata e 23-të ose 24-të, sipas dallimit në mendime të dijetarëve rreth kësaj çështjeje.[25]

    1. Nga shtatë netët tek që shpresohet më së shumti në të, nata e Kadrit është nata e 27-të e Ramazanit. Ky mendim është i shumicës së sahabëve dhe dijetarëve, ndër ta Ibën Abasi h, kurse Ubej ibën Kab h betohej se nata e Kadrit është në natën e 27-të dhe thoshte: “Pasha Allahun që nuk ka të adhuruar tjetër përveç Atij, nata e Kadrit është në Ramazan dhe pasha Allahun unë e di se në cilën natë është ajo! Ajo është nata ku në të na urdhëroi Pejgamberi ﷺ të falim namaz nate, ajo është nata e agimit e ditës së 27-të”[26]

    Abdullah ibën Abasi h përcjell se një njeri erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë jam plak dhe i sëmurë, namazi i natës për mua është i rëndë, prandaj më trego në cilën natë të ngrihem, ndoshta, Allahu më jep mbarësi që ajo të jetë nata e Kadrit. Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “Kërkoje në natën e njëzeteshtatë.”[27]

    Me një hadith tjetër: “Kushdo prej jush që e kërkon, le ta kërkojë në natën e 27-të.”[28]

    Në përcaktimin e kësaj nate përcillen hadithe të shumta që janë merfu’ (që zinxhiri u përfundon te Pejgamberi ﷺ . – sh.p.-)

    Mirëpo, sidoqoftë, kjo mund të jetë në shumicën e rasteve dhe jo çdoherë, ngase ajo lëviz, prandaj më e sakta dhe më e mira është që të kërkohet në dhjetëshin e fundit dhe jo vetëm se në një natë, natën e 27-të.

    1. Nuk lejohet që në natën e 27-të të bëhet ndonjë lloj manifestimi, me pretekst që ajo është nata e Kadrit si dhe nuk lejohet që kjo natë të veçohet me kryerjen e umresë me bindje që kjo natë ka vlerë të posaçme. Nata e Kadrit nuk është e konfirmuar se është në natën e 27-të , po edhe po që se konfirmohet një gjë e tillë, prapëseprapë nuk lejohet që kjo natë të veçohet me ndonjë lloj manifestimi ose umre.
    2. Nata e Kadrit, edhe përskaj vlerës së posaçme që e ka, nuk kërkohet që ajo të veçohet me umre, por pëlqehet të falet namaz nate, bazuar në fjalën e Pejgamberit ﷺ i cili thotë: “Kush ngrihet (fal namaz nate) në Natën e Kadrit me bindje dhe me llogari në shpërblimin e Allahut, i falen gjynahet e mëhershme.” [29]
    3. Në disa hadithe inkurajohet që nata e Kadrit të kërkohet sipas ditëve të mbetura të muajit dhe jo sipas ditëve të kaluara, ashtu siç erdhi në hadithin që e përcjell Ibën Abasit h se Pejgamberi ﷺ tha: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, në nëntë ditët e mbetura, në shtatë ditët e mbetura, në pesë ditët e mbetura.”[30]

    Në hadithin që e përcjell Ebu Seid h Pejgamberi ﷺ thotë: “Kërkojeni natën e Kadrit në natën e nëntë, natën e shtatë dhe natën e pestë.”[31]

    Ebu Seidi h i komentoi fjalët e hadithit dhe tha: “Kur të kalojë nata e 21-të, ajo që vjen pas saj është e 22-ta dhe ajo është e nënta, kur të kalojë nata e 23-të, ajo që vjen pas saj është e shtata, kur të kalojë nata e 25-të, ajo që vjen pas saj është e pesta.”

    Çështja është sikurse Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Netët tek llogariten në bazë të ditëve të kaluara dhe fillojnë me natën e 21-të, natën e 23-të, natën e 25-të, natën 27-të dhe natën e 29-të.

    Si dhe llogariten në bazë të ditëve të mbetura, prandaj sipas kësaj llogarie, nëse muaji është tridhjetë ditë, nata e Kadrit i bie të jetë në netët çift, dhe kështu nata njëzet e dy, është nata e nëntë e mbetur, dhe nata njëzet e katër është nata e shtatë e mbetur.

    Nëse muaji është njëzet e nëntë ditë, koha e mbetur është sikurse koha e kaluar.

    Pra, pasi çështja qenka kështu, atëherë besimtari duhet që natën e Kadrit ta kërkojë gjatë gjithë dhjetëshit të fundit, kurse mundësia më e madhe është që të jetë në shtatë netët e fundit”[32]; sepse nuk mund të konfirmohet saktësisht për muajin se a do të jetë i plotë (30 ditë) ose i mangët (29 ditë). Çështja ndërlidhet me pamjen e hënës.

    1. Allahu e fshehu natën e Kadrit për umetin, me qëllim që të lakmohet në gjetjen e saj dhe myslimanët ta kërkojnë në dhjetëshin e fundit të Ramazanit dhe të garojnë në vepra të mira dhe nënshtrime, ashtu siç e fshehu “emrin e Tij të madh në mesin e emrave të Tij, e fshehu kënaqësinë e Tij në adhurime që ato të gjitha të dëshirohen, e fshehu zemërimin e Tij në mëkate, që robërit e Tij nga të gjitha të largohen, si dhe e fshehu ndodhinë e Kiametit, që të gjithë të jenë të kujdesshëm nga ndodhia e tij dhe të përpiqen sa më shumë në adhurime.”[33]
    2. Në natën e Kadrit pëlqehet të shpeshtohet lutja: “O Allahu im, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua.” Aisha i thotë se e pyeta Pejgamberin ﷺ dhe i thashë: “Nëse e kuptoj që në cilën natë është nata e Kadrit, çfarë të them në të? Profeti ﷺ i tha: “Thuaj: O Allahu im, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua.”[34]
    3. Kërkimi i faljes nga Allahu pas përpjekjes në ibadet në natën e Kadrit dhe në dhjetëshin e fundit aludon në nënshtrimin dhe përuljen e plotë para Duarve të Allahut. Adhuruesi e di se është i mangët në adhurim dhe në vepra të mira, prandaj kërkon falje nga Allahu sikurse e kërkon faljen mëkatari dhe gjynahqari. Jahja ibën Muadhi, Allahu e mëshiroftë, tha: “Nuk e njeh Allahun ai që synimi i shpresës së tij është falja nga Allahu.” Kurse Mutar’rif, Allahu e mëshiroftë, thoshte në duanë e tij: “O Allahu im, ji i kënaqur me neve e, nëse jo, atëherë na fal neve.”[35]
    4. Myslimani në dhjetëshin e fundit duhet që të përpiqet dhe t’i shfrytëzojë mirësitë e natës së Kadrit dhe ta paraqesë të mirën e tij para Allahut me namaz nate, me lexim të Kuranit, me kërkimfalje në agim, me përmendje të Allahut, me lutje dhe i përulur para Tij, i kthyer drejt Tij, duke shpresuar në mëshirën e Tij dhe duke e pasur frikën nga ndëshkimi i Tij dhe duke e shpeshtuar lutjen: “O Allahu im, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua.”
    5. Nga shenjat e natës së Kadrit është lindja e diellit në mëngjesin e saj pa rreze. Ubej ibën Kab h thoshte se e di kur është ajo “sipas shenjës që i lajmëroi i Dërguari i Allahut ﷺ se lindja e diellit në mëngjesin e saj është pa rreze.”[36]

    Andaj, le të përgëzohet ai që u përpoq në atë natë dhe le t’i shtohet imani dhe bindja dhe le t’i rriten shpresat e tij për atë që e veproi nga adhurimi dhe nënshtrimi.[37]

    1. Shenjë tjetër e natës së Kadrit: ajo natë është e qetë, as e nxehtë e as e ftohtë, e ndritshme. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Është natë e qetë e rehatshme, as e nxehtë e as e ftohtë, dielli në mëngjesin e saj lind i kuq dhe i dobët.”[38] Me një hadith tjetër: “Ajo është natë e qetë dhe e ndritshme.”[39]
    2. Nga shenjat e tjera që nuk janë të vërtetuara dhe nuk janë të sakta: në këtë natë qentë nuk lehin ose pakësohet të lehurit e qenve ose në këtë natë nuk bie shi. Të gjitha këto nuk janë të sakta dhe të vërteta.
    3. Myslimani i mençur përpiqet në të gjithë dhjetëshin e fundit, madje në të gjithë Ramazanin, dhe synimi i tij është të kënaqurit e Allahut gjatë tërë jetës së tij.
    4. Baza në arritjen e shpërblimit dhe sevapit në natën e Kadrit është përpjekja dhe llogaria në shpërblimin e Allahut, pavarësisht a e di apo jo njeriu se kur është kjo natë.

    Ai që ngrihet në këtë natë me bindje dhe llogari në shpërblimin e Allahut dhe përpjekja e tij përputhet me natën e Kadrit, do ta fitojë shpërblimin e saj dhe do ta arrijë mirësinë e saj, pavarësisht që njeriu nuk e di se a ka qenë ajo natë apo jo. Nuk është kusht për atë që e qëllon natën e Kadrit që ta dijë se ia ka qëlluar, madje mundet që disa që nuk e dinë natën e Kadrit të jenë më të mirë dhe me pozitë më të lartë tek Allahu sesa ata që e dinë atë, shkaku i përpjekjes së fuqishme dhe sinqeritetit në adhurimin e Allahut.

    1. Kujt Allahu i jep mbarësi që ta qëllojë natën e Kadrit, netët që vijnë pas saj le të jenë net adhurimi në shenjë falënderimi për Allahun dhe jo net largimi ose plogështie nga ibadeti dhe adhurimi i Allahut.
    2. Gruaja me menstruacione dhe lehona ligjërohet që dhjetëshin e fundit të Ramazanit ta ngjallin me ibadet dhe nënshtrime, përveç namazit dhe tavafit në Qabe dhe itikafit në xhami.

    Ajo mundet që të lexojë Kuran (pa e prekur mus’hafin)[40], të bëjë dhikër, istigfar, të bëjë dua dhe lutje, dhe nuk duhet ta privojë veten nga shpërblimi, sevapi dhe mirësia e natës së Kadrit.

    Nëse arsyet sheriatike (d.m.th. menstruacionet ose lehonia) e pengojnë të ngrihet për namaz nate në këto net të vlefshme, kurse në çdo vit e ka pasur traditë të falte namaz nate në dhjetëshin e fundit, ajo në këtë rast do ta fitojë shpërblimin e ngritjes natën për shkak të nijetit të saj, me lejen e Allahut. Në një hadith Profeti ﷺ thotë: “Nëse robi sëmuret ose udhëton, i shkruhen atij shpërblimet sikurse ka qenë vendas dhe i shëndoshë.”[41]

    1. Myslimani e nxjerr zekatin e fitrave për veten dhe për familjen e tij, një ose dy ditë para Fitër Bajramit dhe, nëse fitrat i nxjerr para faljes së namazit të Bajramit, kjo është më e mirë. Fitrat janë pastrim për agjëruesin nga gabimet e fjalët e ndyra dhe ushqim për të ngratët. Në një hadith Profeti ﷺ thotë: “I Dërguari i Allahut ﷺ e detyroi dhënien e zekatit të fitrit si pastrim për agjëruesin nga gabimet e fjalët e ndyra dhe ushqim për të mjerët.”[42]

    Ramazanit i kaluan ditët dhe i erdhi fundi atij. Ai do të jetë dëshmitar për ju ose kundër jush për veprat që i vepruat në të.

    Kush u nda në fund të muajit prej tij me vepra të mira, le ta falënderojë Allahun dhe le të përgëzohet me shpërblim të mirë, sepse Allahu nuk ia humb mundin dhe shpërblimin atij që punoi vepra të mira.

    Kurse, kush u nda në fund të muajit prej tij me vepra të këqija, le të pendohet me pendim të sinqertë te Zoti i tij, sepse Allahu e fal atë që pendohet.”[43]

     

    E lusim Allahun që të na e mundësojë ta arrijmë Natën e Kadrit dhe të na ndihmojë që ta adhurojmë Atë në këtë natë dhe e lusim që të na e mundësojë t’i fitojmë shpërblimet e Tij dhe ta përfundojmë muajin e Ramazanit me faljen e kënaqësinë e Tij dhe të na çlirojë nga zjarri i Xhehenemit, dhe e lusim të na bëjë nga fitimtarët me vepra të pranuara! Amin!

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Pjesë e librit : “Udhërrëfyes për muajin e Ramazanit”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

    [1] Muslimi (1175).

    [2] Te ne e përdorin e shtrëngonte rripin e pantallonave, për qëllim është përgatitej dhe shtrëngohej për ibadet. (sh.p.)

    [3] Buhariu (2024), Muslimi (1174).

    [4] Buhariu (6493), Muslimi (112).

    [5] Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 35).

    [6] Ebu Davudi (1390), Imam Ahmed (6499), shejh Albani e saktësoi në Es-Sahiha (5/601).

    [7] Letaif El-Mearif (fq. 171).

    [8] Tirmidhiu (3175), Ibën Maxhe (4198), hadithi është në Es-Sahiha (162).

    [9] Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 214).

    [10] Buhariu (2517), Muslimi (1509).

    [11] Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 213).

    [12] Buhariu (3293), Muslimi (2691).

    [13] Tirmidhiu (909), hadithi është në Sahih El-Xhami’ (6380).

    [14] Imam Ahmedi (7450), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (2169).

    [15] Letaif El-Mearif (fq. 214).

    [16] Buhariu (2014), Muslimi (760).

    [17] Imam Ahmedi (7148), Nesaiu (2106), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (55).

    [18] Mexhmual Fetava (25/286).

    [19] Shih: Tefsir El-Bagavij (8/482), El-Kurtubij (20/130), Fet’hul Bari, Ibën Haxher (4/255).

    [20] Shih: Tefsir Et-Taberij (24/546), El-Bagavij (8/491), Ibën Kethir (8/443).

    [21] Tefsir Es-Sadij (fq. 931).

    [22] Buhariu (2036), Muslimi (1167).

    [23] Buhariu (2036), Muslimi (1167).

    [24] Buhariu (2015), Muslimi (1165).

    [25] Letaif El-Mearif (fq.195).

    [26] Muslimi (762).

    [27] Imam Ahmedi (2149), zinxhiri i hadithit është sipas kritereve të imam Buhariut ashtu siç tha Ibën Rexhebi në Letaif El-Mearif (fq. 199).

    [28] Imam Ahmedi (4808), dhe hadithin e saktësuan recensentët e haditheve të El-Musned.

    [29] Buhariu (2014), Muslimi (760).

    [30] Buhariu (2021).

    [31] Muslimi (1167).

    [32] Mexhmual Fetava (25/284).

    [33] Tefsir El-Bagavij (8/490).

    [34] Tirmidhiu (3513), Ibën Maxhe (3850), shejh Albani e saktësoi.

    [35] Letaif El-Mearif (fq.206).

    [36] Muslimi (762).

    [37] Shih: Esh-Sherh El-Mumti’, Ibën Uthejmin (6/397).

    [38] Ibën Huzejme (2192), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [39] Ibën Huzejme (2190), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [40] D.m.th. mundet të lexojë dhe ta prekë mus’hafin me dorëza ose me peshqir. Kjo vlen për leximin e Kuranit në gjuhën arabe, kurse në gjuhën shqipe mundet ta prekë edhe me dorë si dhe librat fetarë dhe librat e tefsirit mundet t’i lexojë pa abdes. (sh.p.)

    [41] Buhariu (2996).

    [42] Ebu Davudi (1609), Ibën Maxhe (1827), shejh Albani hadithin e vlerësoi të mirë.

    [43] Mexhalis shehru Ramadan, Ibën Uthejmin (fq.224).

  • PREJ LUTJEVE NË RUKU DHE SEXHDE

    PREJ LUTJEVE NË RUKU DHE SEXHDE

    Pozita e rukusë dhe sexhdes janë nga gjendjet më të mëdha ku shfaqet ubudija (të qenët rob i Allahut). Për këtë shkak, pëlqehet të zgjatet qëndrimi në ruku dhe sexhde në namazin e natës. Prej lutjeve që thuhen në to:

    – “Subhane dhil Xheberuti vel Melekuti vel Kibrija vel Adhame”
    (I Lavdëruar qoftë i Plotfuqishmi, të Cilit i takon Pushteti mbi çdo gjë, Atij i takon Lavdia dhe Madhështia).

    Fjala “El-Xheberut” (i Plotfuqishmi); nënkupton se mbizotërimi dhe ngadhënjimi i plotë i takon veç Allahut.

    Fjala “El-Melekut” (të Cilit i takon Pushteti mbi çdo gjë); nënkupton që Atij i takon sundimi i përgjithshëm, i jashtëm dhe i brendshëm.

    – “Subhaneke Allahumme Rabbena ve bihamdike, Allahumme-gfir li”
    (I Lavdëruar qofsh, o Allah, Zoti ynë, Ty të takon falënderimi! O Allah, më fal mua!)

    – Subbuhun kuddusun rabul melaiketi verruh”
    (I Dëlirë nga çdo mangësi, i Shenjtë, Zoti i melekëve dhe i Xhibrilit).”

    “Subbuhun kuddusun” (I Dëlirë nga çdo mangësi, i Shenjtë)”; do të thotë i dëlirë nga mangësitë, ortakëria dhe çdo gjë që nuk i përket hyjnisë.
    “ver-ruh (i Xhibrilit)”; fjala er-Ruh që ka ardhur në hadith e ka për qëllim Xhibrilin (dhe u veçua me përmendje karshi melekëve të tjerë në shenjë respekti dhe nderi).

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • MBUSHJA E ZBRAZËTIRAVE DHE PLOTËSIMI I MANGËSIVE

    MBUSHJA E ZBRAZËTIRAVE DHE PLOTËSIMI I MANGËSIVE

    Agjëruesi nuk mundet pa istigfarin (kërkimfaljen). Me istigfar e plotëson mangësinë që, eventualisht, ka ndodhur në agjërimin e tij, me istigfar e përfiton mëshirën e Allahut dhe me istigfar e përfundon veprën e mirë të tij.

    Transmetohet se Ebu Hurejra  thoshte: “Gibeti (përgojimi) e shqyen agjërimin, ndërsa istigfari e arnon atë. Andaj, kush prej jush mundet të vijë me agjërim sa më të plotë, le ta bëjë atë.”

    El-Hasan el-Basrij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Shpeshtojeni istigfarin, ju nuk e dini se kur zbret mëshira e Allahut.”

    Koha më e preferuar për istigfar (kërkimfalje) është pjesa e fundit e natës pas faljes së namazit të natës. Allahu thotë: “Ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu) ” (Edh-Dharijat: 18).

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • ZEMRAT QË NDJEJNË DHEMBJE E QË NUK FLASIN

    ZEMRAT QË NDJEJNË DHEMBJE E QË NUK FLASIN

    Në spital e sollën një rast urgjent dhe me shpejtësi u thirr kirurgu i spitalit. Para se të hyjë në sallën e operacionit u ballafaqua me prindin e të sëmurit, i cili i tha:

    – Pse u vonove?! A e di se jeta e birit tim është në rrezik të madh?! Ti a nuk ke ndjenja?!

    – Shpresoj të qetësohesh dhe të më lësh rahat të hy për ta kryer operimin. Ji i sigurt se biri yt është nën përkujdesjen e Allahut! – ia ktheu mjeku duke buzëqeshur.

    – Sa i ftohtë që je! Po të ishte në pyetje biri yt, a do të ishe kaq i qetë?! Sa lehtë është t’i këshillosh të tjerët!

    Mjeku u largua nga prindi i të sëmurit dhe hyri në sallën e operimit. Më pas, pas dy orëve, doli dhe i tha prindit:

    – Operacioni doli i suksesshëm, falë Allahut. Biri yt do të jetë mirë, kurse mua më fal se kam takim tjetër, – më pas u largua pa mos dëgjuar asnjë pyetje nga prindi i të sëmurit.

    Kur doli motra medicinale, prindi i të sëmurit e pyeti atë:

    – Çfarë është gjendja e këtij mjeku të çuditshëm dhe mendjemadh?!

    Ajo ia ktheu duke iu përgjigjur:

    – Biri i tij ka ndërruar jetë në një aksident me makinë, mirëpo kur e thirrëm dhe i treguam për gjendjen e birit tënd, nuk hezitoi për të ardhur e për ta operuar. Pasi e operoi atë, nxitoi për të shkuar në varrimin e birit të vet.

    Me të vërtetë ka zemra që ndjejnë, mirëpo nuk flasin! Prandaj, mos gjyko para se të dish gjendjen e të tjerëve!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline