Category: Dija & Daveti

  • SHËNDET PËR TRUPIN!

    SHËNDET PËR TRUPIN!

    Agjërimi na mëson të punojmë për Allahun, me Allahun dhe në rrugë të Allahut, të sinqertë për Allahun dhe duke e kërkuar përkrahjen e Allahut. Megjithëkëtë, agjërimi, po ashtu, është përkujdesje dhe mbrojtje për trupin.

    – Prej dobive shëndetësore të agjërimit:

    E lehtëson trupin dhe e pastron nga helmet.

    I ripërtërin qelizat dhe indet.

    E përmirëson tretjen dhe absorbimin e ushqimit.

    E forcon kuptimin dhe e hap diapazonin e të menduarit.

    E mbron trupin nga trombi në venë, nga reumatizmi dhe nga problemet me zemër.

    – Obligimet fetare nuk lidhen me dobitë trupore, mirëpo lejohet të përmenden kalimthi.

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • MORALI I AGJËRUESIT

    MORALI I AGJËRUESIT

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Kur të agjërojë ndonjëri nga ju, le të mos flasë fjalë të ndyta dhe le të mos bërtasë. Nëse ndodh, eventualisht, që tjetri ta shajë apo ta sulmojë, atëherë le të thotë: Unë jam agjërueshëm.”

    – “le të mos flasë fjalë të ndyta”; fjalë të pista dhe fjalë epshi.

    – “le të mos bërtasë”; duke bërtitur dhe duke folur marrëzira.

    – “Nëse ndodh, eventualisht, që tjetri ta shajë apo ta sulmojë, atëherë le të thotë: Unë jam agjërueshëm”; duke ia kujtuar vetes se është agjërueshëm, e përmban gjuhën e tij dhe, po ashtu, ia kujton kundërshtarit e, kushedi, ndoshta, largohet dhe ndalet.

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • DOBITË DHE ETIKA E AGËRIMIT

    DOBITË DHE ETIKA E AGËRIMIT

    Frikojuni Allahut dhe falënderoni Atë që na mundësoi ta presim muajin e Ramazanit shëndoshë e mirë. Dijeni se agjërimi është një ndër adhurimet më të dobishme dhe gjurmët e tij në pastrimin e shpirtit dhe në përmirësimin e moralit janë shumë të mëdha.

    Prej dobive të agjërimit është se ai në shpirtin e muslimanit mbjell frikërespekt dhe devotshmëri ndaj Allahut, azze ue xhel: O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (El-Bekare: 183)

    Prej dobive të agjërimit është se ia mëson njeriut përballjen dhe durueshmërinë, dhe kjo vjen si rezultat i durimit të tij prej largimit nga epshet dhe pasionet.

    Prej dobive të agjërimit është se ia mundëson njeriut të del fitimtar kundrejt epshit të tij. Shpirti i njeriut fort anon kah epshet dhe pasionet dhe kur shpirtit i plotësohet dëshira që gjithmonë ta merr atë çka e dëshiron, atëherë njeriu është në rrezik të madh prej devijimeve që përfundimi i tyre padyshim se është i keq. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Shpirti (i njeriut) është fort i prirë për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im. (Jusuf: 53)

    Prej dobive të agjërimit është se e dobëson lëvizjen e shejtanit në trupin e njeriut, për shkak se ai lëviz në trupin e birit të Ademit ashtu siç lëviz gjaku i tij në trup. Kur njeriu ia mundëson vetes të gjitha gjërat që i dëshiron epshi i tij, ia hap derën shejtanit të depërtojë më lehtë dhe ta mbisundojë mendjen dhe shpirtin e njeriut.

    Prej dobive të agjërimit është se ai ia rikujton njeriut begatitë e Allahut ndaj tij. Kur e kaplon etja dhe uria i rikujtohet se Allahu ia lehtëson atij furnizimin e ushqimeve dhe pijeve dhe e sheh se sa ka nevojë krijesa për Krijuesin dhe me këtë e rrit falënderimin ndaj Tij.

    Prej dobive të agjërimit është se ai e nxit njeriun në bamirësi ndaj fukarenjve dhe nevojtarëve. Agjëruesin kur e kaplon uria dhe etja i rikujtohet gjendja e fukarenjve dhe kjo e nxit në bamirësi dhe lëmoshë ndaj tyre.

    Prej dobive të agjërimit është se e mposht kryelartësinë dhe mendjemadhësinë ndaj njerëzve. Kur agjëron i pasuri dhe fukaraja, mbreti dhe dijetari, fisniku dhe tradhtari, atëherë robit i rikujtohet se nuk e dallon njërin prej tjetrit, përveç se devotshmëria dhe se njerëzit të gjithë janë robër të Allahut dhe për të gjithë vlejnë të njëjtat dispozita.

    Prej dobive të agjërimit është se i bashkon muslimanët dhe i afron njërin me tjetrin. Ata agjërojnë në të njëjtën kohë, e hanë iftarin në të njëjtën kohë dhe kjo ndikon në afrimin e tyre dhe largimin e përçarjeve dhe mosmarrëveshjeve.

    Prej dobive të agjërimit po ashtu është se e lehtëson veprimin e adhurimeve. Kush e vëren gjendjen e agjëruesve në Ramazan, adhurimet e tyre dhe mirësitë që i veprojnë ata, do të bindet se agjërimi është një prej shkaqeve kryesore të udhëzimit dhe e kupton thënien e Allahut, azze ue xhel: Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju” (El-Bekare: 184) dhe thënien e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem: “Agjërimi është mburojë.”

    Dhe në fund prej dobive të agjërimit është se e mbron trupin prej sëmundjeve dhe zemrën prej moraleve të shëmtuara.

    O ju agjërues!

    Dijeni se agjërimi ka disa etika që duhet të respektohen.

    Agjërues është ai person të cilit gjymtyrët e tij agjërojnë prej mëkateve dhe gjuha e tij prej gënjeshtre, përgojimi dhe shpifjes. Barku i tij prej ushqimi dhe pijeve dhe organi i tij prej epsheve. Flet fjalë që nuk e dëmtojnë agjërimin e tij, vepron vepra që nuk janë në kundërshtim me fenë e tij. Fjalët dhe veprat e tij i përngjajnë erës së cilën e nuhat ai që ulet afër personit i cili është i parfumuar me misk. Çdo njëri dëshiron t’i afrohet për shkak se ndeja me të është kënaqësi e madhe, dhe se aty nuk përgojohet, nuk barten fjalë dhe nuk dëmtohet askush. Ky është agjërimi i kërkuar prej muslimanit, e jo vetëm se largimi prej ushqimit dhe pijeve.

    Prej etikës së agjërimit është që agjëruesi mos ta teprojë me ushqim gjatë natës, por të hajë aq sa ka nevojë trupi i tij. Çdo ngrënie e tepërt trashëgon dembeli dhe përtaci dhe e largon agjëruesin prej qëllimit të vërtet të Ramazanit.

    Prej etikës së agjërimit është vonimi i syfyrit me qëllim që të fillon me agjërim me hyrjen e imsakut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja” (El-Bekare: 187)

    Prej etikës së agjërimit është përshpejtimi i iftarit nëse vërtetohet se dielli ka perënduar qoftë me shikim ose me dëgjimin e ezanit të akshamit.

    Disa njerëz bien në disa gabime gjatë muajit të Ramazanit edhe atë duke mos fjetur një pjesë të madhe të natës, e pastaj e hanë syfyrin dhe bien në gjumë një orë ose më shumë para namazit të sabahut. Ky lloj njerëzish bien në disa gabime, prej tyre:

    1- Ata e fillojnë agjërimin para kohës kur detyrohet agjërimi (d.m.th. para se të hyjë koha e imsakut).

    2- Ndoshta nuk e falin namazin e sabahut me xhemat dhe kështu i bëjnë mëkat Allahut duke e neglizhuar atë që ua ka obliguar.

    3- Ndoshta nuk e falin namazin e sabahut në kohën e duhur, dhe e falin pasi që të lind dielli. Kjo është një rrezik i madh për to për shkak se Allahu, azze ue xhel, thotë: Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet”. (El-Maun: 4-5); “Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta”. (Merjem: 59)

    Moskujdesi dhe braktisja që përmenden në dy ajetet e lartpërmendura aludojnë në atë që nuk e fal namazin në kohën e tij të duhur.

    O robër të Allahut!

    Frikojuni Allahut dhe mos e ndërtoni fenë e juaj në një anë duke e shkatërruar anën tjetër. Islami është i ndërtuar prej pesë shtyllave: Dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të vërtet vetëm se Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në Haxh, prandaj praktikoni fenë e juaj dhe mos u përçani në të.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është I sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini”. (El-Bekare: 183-184)

     Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • VEÇORITË E MUAJIT RAMAZAN

    VEÇORITË E MUAJIT RAMAZAN

    O muslimanë, frikojuni Allahut dhe falënderoni Atë. Dijeni se prej urtësisë së madhe të Tij është ta veçon kë të dojë prej krijesave të Tij dhe ta dallon njërën krijesë nga tjetra. Disa nga njerëzit i bëri të dallohen nga të tjerët dhe disa vende i bëri të dallohen nga vendet tjera dhe po ashtu disa periudha i bëri të dallohen nga periudhat tjera dhe Allahu prej tyre e veçoi dhe dalloi muajin e Ramazanit prej muajve tjerë dhe në Kur’an tha: Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)”. (El-Bekare: 185)

    I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i qartësoi edhe më gjerësisht veçoritë e muajit Ramazan me një hadith të cilin na e përcjell Selman el Farisij, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe i cili thotë: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, na ligjëroi në ditët e fundit të muajit Shaban dhe tha: “O ju njerëz, po afrohet një muaj i madh dhe i bekuar. Në këtë muaj është një natë që është më e mirë se njëmijë muaj. Gjatë këtij muaji Allahu e ka bërë agjërimin të detyrueshëm dhe faljet gjatë natës të lavdërueshme. Ai që e kryen një punë të mirë vullnetare gjatë këtij muaji, është si të ketë kryer një punë të detyrueshme në çdo kohë tjetër. Ai që kryen një vepër të detyrueshme është si të ketë kryer 70 punë të detyrueshme në çdo kohë tjetër. Ky është muaji i durimit dhe shpërblimi i durimit është Xheneti. Ky është muaji i barazisë dhe bujarisë dhe bamirësisë. Në këtë muaj furnizimi i besimtarit rritet. Kushdo që i jep ushqim një agjëruesi këtë muaj, kjo do të bëhet shkak që atij t’i falen mëkatet, do të shpëtojë nga zjarri dhe ai do ketë shpërblimin e tij pa i hequr personit që ushqehet asnjë pjesë të shpërblimit të tij”.

    Njerëzit i thanë: “O i Dërguar i Allahut, nuk mundet çdokush prej nesh të ushqejë ndonjë agjërues”. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, u përgjigj: “Allahu e shpërblen atë që ushqen një agjërues me hurmë, ujë ose qumësht. Fillimi i këtij muaji është mëshirë, mesi falje kurse fundi shpëtim nga zjarri. Atë që jep nga pasuria e vet, Allahu e mëshiron dhe e shpëton nga zjarri. Shtoni në këtë muaj katër gjëra: me dy fitoni pëlqimin e Allahut kurse me dy tjera jeni të detyruar. Dy të parat janë: dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç se Allahut dhe kërkimi për faljen e mëkateve, kurse dy të fundit janë: kërkoni prej Allahut Xhenetin dhe mbështetuni në mbrojtjen e Tij nga zjarri. Kush i jep ujë agjëruesit, Allahu i jep atij prej lumit tim dhe nuk ndien etje derisa të hyjë në Xhenetin e Allahut”.

    O robër të Allahut, në këtë hadith janë të qartësuara gjerësisht veçoritë e muajit Ramazan dhe i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e ka përshkruar këtë muaj si të madh dhe të bekuar. Këto dy cilësi i japin një veçori të posaçme muajit Ramazan kundruall muajve tjerë. Çdo çast i këtij muaji përshkruhet se është i madh dhe i bekuar. I bekuar në kohë, i bekuar në vepër dhe i bekuar në shpërblim. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, lajmëroi se në të është një natë që është më e mirë se njëmijë muaj. Ajo natë është nata e Kadrit dhe muaji Ramazan veçohet me të për arsye se ajo natë nuk gjendet në muajt e tjerë. Ajo natë është më e mirë se çdo natë tjetër dhe në Kur’an përshkruhet me cilësi të mëdha.

    Ajo është nata kur zbriti Kur’ani: Ne e kemi zbritur (Kur’anin) në Natën e Kadrit”. (El-Kadr: 1) Ibën Abasi, Allahu e mëshiroftë, përmend se Kur’ani ka zbritur i kompletuar në qiellin e parë të dynjasë, i cili njihet me emrin Bejtul Iz’zeh, dhe kjo ka ndodhur natën e Kadrit. Ajo natë është nata e bekuar ashtu siç e përshkruan Allahu në Kur’an: Ne e zbritëm Kur’anin në një natë të bekuar”. (Ed-Duhan: 3) Ajo është nata kur zbresin melekët me mirësi: “Melekët dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë”. (El-Kadr: 4) Ajo është nata kur vendoset përcaktimi vjetor: “Në atë (natë të zbritjes së Kur’anit) vendoset çdo punë e urtë”. (Ed-Duhan: 4) Ajo natë e tëra është paqe: “Paqe është ajo deri në lindjen e agimit”. (El-Kadr: 5) Ajo natë e madhe me begatitë dhe mirësitë e saj është një nga veçoritë e muajit Ramazan.

    Prej veçorive tjera që i qartësoi Muhamedi, alejhi salatu ue selam, në këtë hadith është se gjatë këtij muaji Allahu e ka bërë agjërimin të detyrueshëm dhe faljet gjatë natës të lavdërueshme. Agjërimi gjatë ditës në këtë muaj është një prej shtyllave të Islamit dhe me përfshirjen e një prej shtyllave të Islamit gjatë këtij muaji ky muaj veçohet prej muajve tjetër. Po ashtu veçohet edhe me faljen e teravive, i cili është një prej namazeve të lavdërueshme, dhe kjo falje nuk ligjësohet jashtë këtij muajit.

    Prej veçorive tjera që i qartësoi Muhamedi, alejhi salatu ue selam, në këtë hadith është se shtohen sevapet në këtë muaj. Puna vullnetare në sevap është si sevapi i një pune të detyrueshme në çdo kohë tjetër dhe puna e detyrueshme në sevap është si të ketë kryer 70 punë të detyrueshme në çdo kohë tjetër. Nuk dihet se sevapet shtohen në një muaj tjetër si në muajin e Ramazanit dhe kjo veçori e bën këtë muaj të veçohet prej muajve tjerë.

    Prej veçorive tjera të këtij muaji është se ky muaj është muaj i durimit. Muslimani bën durim nga largimi i epsheve dhe bën durim në vështirësitë e adhurimeve. Durimi është një nga nënshtrimet më të rënda për shpirtrat dhe për këtë arsye shpërblimi i tij është Xheneti: Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”. (Ez-Zumer: 10)

    Prej veçorive tjera të këtij muaji është se ky muaj është muaj i bujarisë. Bujaria e Allahut në këtë muaj shfaqet me faljen e robërve të Tij dhe lirimin e tyre prej zjarri të Xhehenemit. Kurse bujaria mes robërve shfaqet me barazinë mes tyre, ushqimin e të varfërve, ushqimin e agjëruesve dhe me butësinë mes tyre.

    Prej veçorive tjera të këtij muaji është se ky muaj është muaj i mëshirës mes njerëzve dhe muaj i zbritjes së mëshirës prej Mëshiruesit. Pasaniku e mëshiron të varfrin, i forti e mëshiron të dobëtin, sunduesi e mëshiron atë që është nën pushtetin e tij, kurse ata që mëshirojnë Allahu i mëshiron.

    Po ashtu prej veçorive të këtij muaji është shumëllojshmëria e mirësive në të. Fillimi i tij është mëshirë, mesi i tij është falje kurse fundi i tij lirim prej zjarri.

    O robër të Allahut, është e pamundur që një muaj t’i posedojë këto cilësi dhe veçori dhe njeriu mos të gëzohet me ardhjen e tij. Prandaj i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e luste Allahun që t’ia mundësojë ta arrijë muajin Ramazan dhe kur hynte muaji Rexheb thonte: “O Zot, bekona në muajin Rexheb dhe Shaban dhe mundësona ta arrijmë muajin Ramazan”. Kurse të parët tanë e lusnin Allahun gjashtë muaj që t’ua mundësojë që ta arrijnë muajin Ramazan, e pasi që e arrinin e lusnin edhe gjashtë të tjera që t’ua pranojë muajin Ramazan. Shkaku i kësaj lutjeje ishin adhurimet e shumta dhe mirësitë e shumëllojshme që i jepte ky muaj.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është I sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini. Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është I sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë”. (El-Bekare: 183-185)

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

  • PRITJA E MUAJIT TË RAMAZANIT

    PRITJA E MUAJIT TË RAMAZANIT

    Frikojuni Allahut me frikërespekt të vërtet dhe dijeni se Ai ju mbikëqyr kudo që të jeni në fshehtësi apo haptazi.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El-Bekare:183)

    Çdo musliman është mallëngjyer për muajin e Ramazanit, muajin e mëshirës dhe Kur’anit. Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit. Prangosen shejtanët dhe në të është një natë më e mirë se një mijë net.

    Ky muaj ditët i ka të caktuara, kujtimet dhe kënaqësitë e paharruara dhe veprat e mira të dyfishuara. Prandaj, ju o vëllezër të Islamit, ju përgëzoj me zotërinë e muajve i cili na vjen pas një mungese të gjatë, ashtu si i përgëzonte Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, shokët e tij dhe u thoshte: Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ju ka urdhëruar të agjëroni në të. Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit kurse mbyllen dyert e Xhehenemit. Në këtë muaj shejtanët mbyllen. Në këtë muaj është nata e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga kjo e mirë, ai është vërtet i privuar.”

     Si mos të përgëzohet mëkatari kur i mbyllen dyert e Xhehenemit dhe i hapen të mëshirës dhe pendimit? Si mos të përgëzohet i mençuri kur në këtë kohë lidhen shejtanët? Muaj që nuk e arrin asgjë dhe askush në të mira dhe dobi. Ky muaj është muaj i fitoreve për Umetin. Në këtë muaj u fitua lufta e Bedrit, u çlirua Mekja, e më vonë Endelusi dhe Hitini e shumë të tjerë.

    Sot disa prej muslimanëve Ramazanit ia humbin shkëlqimin dhe vlerën e tij. Në vend që ta veçojnë me agjërim dhe Kur’an ata i braktisin shtëpitë për udhëtime dhe aventurë. Disa e shfrytëzojnë që ditën të flenë, ndërsa natën të lozin dhe argëtohen dhe ta luftojnë Allahun me mëkate.

    Ardhja e këtij muaji është begati e madhe për atë që Allahu nuk ia merr shpirtin. Dëshira e sa njerëzve ka qenë që ta agjërojnë këtë muaj të shenjtë, por sot nuk janë në mesin tanë?! Sa prej nesh këtë vit do ta agjërojmë së bashku e vitin tjetër Ramazanin do ta presim në varre: “Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.” (Lukman: 34)

     Si ta gostitim këtë mysafir të vlefshëm?

     Ky mysafir gostitet me hapjen e zemrave para se t’ia hapim dyert e shtëpisë, me pastrimin e shpirtrave dhe pastrimin e pasurisë.

    Prandaj, ti i cili i bën mëkat Allahut pendohu me sinqeritet që zemra jote të përmirësohet dhe gjendja jote të drejtohet. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”. (Et-Tehrim 8)

    O muslimanë!

     Ky muaj është muaj i mëshirës dhe faljes mes njerëzve. Muaj i largimit prej urrejtjeve dhe armiqësive, shkaqe që Umetin e përçanë dhe e dobësuan. Atë që Ramazani e takon si mos respektues i prindërve dhe shkëputësh i lidhjeve familjare, braktisës i vëllezërve të Islamit, dhe përgojues dhe shpifës në nderin e muslimanëve, lexoji këto ajete: “Frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet midis jush dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë”. (El-Enfal: 1); “Kurse ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira – Ne nuk ngarkojmë askënd më tepër nga sa ka mundësi – ata janë banorë të Xhenetit, në të cilin do të qëndrojnë përgjithmonë. Ne do ta shkulim urrejtjen nga kraharori i tyre. Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu.” (El-A’raf: 42-43)

    Ky muaj është muaji i ndihmesës dhe lëmoshës. Prej urtësive të tij është që muslimani të bashkëvepron me vëllezërit e tij në të gjitha sferat dhe t’i përgjigjet thirrjeve të varfërve dhe të dobëtëve. E ndjen në vete varfërinë e tyre, pikëllohet me pikëllimin e tyre dhe i dhemb shpirti me dhimbjen e shpirtrave të tyre. Ia zgjat dorën me lëmoshë dhe ndihmë dhe shpreson që Allahu veprat dhe pasurinë t’ia dyfishon: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” (El-Bekare: 261)

    Ky muaj është muaji i lutjeve dhe duave. Pasuria e fituar me haram është shkak i belave. Lutjet nuk pranohen, ëndrrat dhe shpresat nuk realizohen dhe dyert e qiejve nuk hapen. Pritja e Ramazanit me pastrimin e pasurisë prej haramit dhe bërjen e duave të sinqerta janë shpresa e muslimanit në dunja dhe ahiret: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” (El-Bekare: 186)

    Shiko në veten tënde, hulumto në shtëpinë tënde, fute dorën në xhepin tënd, pastroje pasurinë prej çdo harami që të dalësh para Allahut me zemër të frikësuar, pasuri të pastruar, dhe lutje të sinqerta të cilave u hapen dyert e qiejve.

    Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pesë namazet, namazi i Xhumasë deri në Xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër janë shkak për faljen e gjynaheve të vogla që janë bërë në mes tyre, nëse largohesh nga gjynahet e mëdha.

    Ata të cilët e kuptojnë Ramazanin si medrese për forcimin e imanit, pastrimin e moralit dhe forcimin e vullnetit, ata janë që përfitojnë prej tij. Gjatë ditës e shijojnë kënaqësinë e agjëruesit, gjatë natës e shijojnë ëmbëlsinë e namazit dhe lutjeve, ata janë të cilëve u hapen dyert e Xhenetit dhe u mbyllen dyert e Xhehenemit dhe i takojnë melekët natën e Kadrit me paqe dhe përgëzime. Ata janë të cilët ndahen prej Ramazanit të mëshiruar dhe të falur, me pendim dhe lutje të pranuar, dhe me besim të ripërtërirë dhe të forcuar.

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, na përcjell prej Abdullah ibën Amër ibën el Asit, radijallahu anhu, i cili thotë se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Agjërimi dhe Kur’ani ndërmjetësojnë për robin në ditën e Kiametit. Agjërimi thotë: “O Zot, ai është ndaluar nga ushqimet dhe epshet e tij ditën, më lejo të jem ndërmjetësues për të”. Dhe thotë Kur’ani: “O Zoti im, ai është ndaluar nga gjumi natën, më lejo të jem ndërmjetësues për të dhe ndërmjetësojnë.”

    Sad ibën Sehl, radijallahu anhu, na transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Vërtet në Xhenet është një derë e cila quhet Rejan, nëpër të cilën Ditën e Kiametit do të hynë vetëm se agjëruesit dhe askush tjetër përveç tyre. Do të thirret nga ajo derë ku janë agjëruesit. Pasi që të hynë ajo derë mbyllet dhe nuk do të mund të hyjë në të askush tjetër.”

    O robër të Allahut, frikojuni Allahut me frikërespekt të vërtetë: O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El-Bekare:183)

    Të parët tanë mirë e kuptuan urtësinë e Ramazanit. Ditët e tyre ishin angazhim, prodhim dhe përsosmëri. Netët e tyre ishin asketizëm, namaz dhe Kur’an. I tërë muaji për to ishte adhurim, mësim dhe ihsan (bamirësi). Gjuhët e tyre agjëruese nuk përgojonin, sytë e tyre agjëruese haram nuk shikonin dhe zemrat e tyre agjëruese kah asnjë mëkat dhe gjynah nuk mëtonin.

    Sot disa prej muslimanëve i morën të parët si model dhe e morën Ramazanin si sezon i adhurimeve dhe dyfishim i shpërblimeve. Ditën e agjëruan me përkushtim dhe natën u falën me përkushtim. Ndërsa disave prej tyre Ramazani nuk u bëri aspak dobi. Ditën e morën për gjumë, natën për argëtim dhe ngrënie dhe dëfrim. Allahu e bëri largim prej ushqimeve dhe epsheve dhe ndihmë të varfërve, ata e bënë prezantim të ushqimeve dhe pijeve duke u lavdëruar para njerëzve se unë jam i pasur.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Allahu i lartësuar ka thënë: Çdo vepër që kryen biri i Ademit është për të dhe çdo vepër e mirë i shpërblehet me dhjetë të mira deri në shtatëqind, përveç agjërimit, sepse agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të, ai largohet prej epsheve dhe ngrënies për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime, një kur ha iftarin dhe tjetri kur të takojë Zotin e tij. Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e miskut.”

    “Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë.”

    “Kush e agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu ia largon atij fytyrën prej zjarrit të Xhehenemit shtatëdhjetë pranvera.”

    E lus Allahun, azze ue xhel, që në këtë muaj të na falë dhe mëshirojë, adhurimet të na i shtojë, duatë dhe lutjet të na i pranojë, neve të gjithëve dhe prindërit tanë dhe familjet e tona prej Zjarri të na lirojë.

    Shejh Abdulbarij Thubejti

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • PËRGËZIMI ME ARDHJEN E MUAJIT RAMAZAN

    PËRGËZIMI ME ARDHJEN E MUAJIT RAMAZAN

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e pejgamberëve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin, biri i Abdullahut dhe rob i Allahut.

    O muslimanë, frikojuni Allahut dhe falënderoni shumë Atë nëse ua mundëson që ta arrini muajin e Ramazanit dhe kërkoni prej Tij që t’ju begatojë e ta shfrytëzoni këtë muaj në agjërim, namaze vullnetare dhe adhurime tjera. Ramazani është sezon i madhërishëm dhe mejdan i gjerë në veprimin e mirësive dhe faljen e gjynaheve. Njiheni vlerën e tij dhe madhëroni çështjen e tij dhe pajiseni vetveten në këtë muaj me vepra të mira dhe mirësi.

    Agjërimi i muajit Ramazan është një prej shtyllave të Islamit dhe detyrë e çdo muslimani. Allahu urdhëroi në agjërimin e tij dhe ia detyroi çdo robi të Tij duke thënë: O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi”. (El-Bekare: 183); “Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!”. (El-Bekare: 185) Detyrohet çdo musliman i rritur dhe me mendje të shëndoshë ta agjërojë muajin e Ramazanit. Nëse është i sëmurë me sëmundje që ka shërim dhe nuk mund t’i përballojë agjërimit apo është udhëtar në rrugë të gjatë lirohet prej agjërimit dhe ato ditë i zëvendëson me ditë tjera: “Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar”. (El-Bekare: 185) Nëse është në pleqëri të thellë apo i sëmurë me sëmundje që s’ka shërim dhe nuk mund t’i përballojë agjërimit, atëherë ai nuk agjëron dhe për çdo ditë e ushqen nga një të varfër dhe nuk i zëvendëson ato ditë me ditë tjera: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi”. (El-Bekare: 184) Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “I është lehtësuar të moshuarit në vite që nuk mund t’i përballojë agjërimit të mos agjërojë dhe ta ushqejë nga një të varfër për çdo ditë”.

    Gruaja me menstruacione dhe lehona nuk lejohet të agjërojnë dhe ato ditë që nuk i agjërojnë i zëvendësojnë me ditë tjera. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur është pyetur, se: Pse gruaja me menstruacione e bën kaza agjërimin dhe nuk e bën kaza namazin, ajo është përgjigjur, se kështu ka qenë praktika e grave gjatë kohës kur ishte gjallë i Dërguari, alejhi salatu ue selam.

    Fëmija i cili ende nuk e ka arritur moshën e pjekurisë nuk është i detyruar të agjërojë, por nëse ka mundësi t’i përballojë agjërimit e urdhërojmë që të agjërojë me qëllim që të kalitet dhe ta stërvit shpirtin në adhurim dhe agjërimi i tij i pranohet si vullnetar.

    O robër të Allahut, me agjërim nënkuptojmë abstenim apo përmbajta nga ushqimet, pijet dhe marrëdhëniet bashkëshortore për hir të Allahut, prej imsakut e deri në perëndimin e diellit. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja. Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami! Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu, pra, Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta, që ata të ruhen nga të këqijat”. (El-Bekare: 187)

    Allahu na qartësoi në këtë ajet se fillimi i agjërimit është prej agimit e deri në perëndimin e diellit. Prandaj Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, nxiti që të vonohet syfyri dhe të përshpejtohet iftari me qëllim që të përfundojë syfyri me agim dhe të fillojë iftari me perëndimin e diellit dhe me këtë t’i përshtatet urdhrit të Allahut dhe dispozitave të Tij. Nuk është prej traditës së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, ngrënia e syfyrit herët dhe vonesa e iftarit pas perëndimit të diellit. Po ashtu nuk lejohet ngrënia e syfyrit pas agimit dhe ngrënia e iftarit para se të perëndojë dielli dhe ai që e vepron këtë me qëllim nuk i pranohet agjërimi.

    Agjërimin e prish ngrënia dhe pija me qëllim dhe çdo gjë që ka të njëjtat efekte si ushqimi dhe pija, si barnat, gjilpërat me vitamine, etj. Po ashtu e prish të vjellët qëllimisht, por nëse ndonjë vjell pa qëllim, kjo nuk e prish agjërimin. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kujt i përzihet dhe vjell nuk është i detyruar ta plotësojë atë ditë më vonë” dhe “Kush vjell me qëllim, duhet ta plotësojë (agjërimin) më vonë”.

    Prej gjërave që e prishin agjërimin është edhe nxjerrja e gjakut me hixhame ose pastrim gjaku. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “E ka prishur agjërimin ai që bën hixhamen dhe atij që i bëhet hixhamja”.

    Prej gjërave që e prishin agjërimin është edhe dalja e spermës për shkak të ledhatimit apo puthjes, masturbimi, menstruacionet dhe lehonia.

    Po ashtu prej gjërave që e prishin agjërimin është edhe marrëdhëniet bashkëshortore gjatë ditës së agjërimit. Ai i cili e bën këtë vepër duhet ta zëvendësojë atë ditë me ditë tjetër dhe të shpaguan. Shpagimi është lirimi i një robi, nëse nuk ka mundësi agjërimi i dy muajve njëri pas tjetrit, nëse nuk mundet atëherë ushqimi i gjashtëdhjetë të varfërve. Përjashtohet nga ajo që përmendëm rasti kur bashkëshortët janë udhëtarë dhe kryejnë marrëdhënie duke qenë agjërueshëm, sepse agjërimi për udhëtarët nuk është i detyruar, për ata kërkohet që ta kompensojnë këtë ditë pas Ramazanit.

    O muslimanë, gjërat e lartpërmendura që e prishin agjërimin janë perceptuese dhe ai që i tepron detyrohet me kaza. Ekzistojnë edhe gjëra morale që e dëmtojnë agjërimin duke ia humbur shpërblimin apo pakësuar dhe vepruesi i saj nuk detyrohet me kaza. Prej tyre është përgojimi, bartja e fjalëve, sharja, ofendimi, shpifja, shikimi në atë që e ka ndaluar Allahu të shikojmë, dëfrimi me muzikë dhe instrumente muzikore, etj.

    Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Agjërimi mbron nga morali i keq sepse ai që agjëron nuk flet gjëra të turpshme dhe nuk bërtet. Nëse (eventualisht) e shanë ndokush ose e sulmon, le të thotë: “Unë agjëroj, unë agjëroj”.

    Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Zoti nuk ka nevojë për njeriun që e braktisë ushqimin e pijen e nuk e braktisë fjalën e keqe dhe veprën e ligë”.

    Nëse agjëruesi ha apo pi me harresë nuk i prishet agjërimi. Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush harron gjatë agjërimit, pi dhe ha, le ta vazhdojë agjërimin, sepse Zoti e ka ushqyer dhe i ka dhënë të pijë.”

    Agjëruesit i lejohet të nuhat erën e parfumeve, kjo nuk ndikon në agjërimin e tij. Po ashtu i lejohet të flladitet me ujë duke e shpërlarë gojën ose duke e larë kokën ose duke e larë tërë trupin ose duke hyrë në një vend të ftohët për arsye se kjo i ndihmon gjatë agjërimit. Nëse i depërton pluhuri apo avulli apo ndonjë insekt në gojë nuk i prishet agjërimi për arsye se kjo ndodh pa dëshirën e tij. Nëse dikush ka rrjedhje gjaku nga hundët apo nga dhëmbët edhe kjo nuk e prish agjërimin, pasi kjo nuk është në dorën e njeriut, është diçka e paqëllimshme. Nëse dikush e nxjerr dhëmbin dhe del gjak edhe kjo nuk e prish agjërimin.

    O muslimanë, ruani agjërimin e juaj prej gjërave që e prishin agjërimin. Veproni vepra të mira, shpeshtoni lutjet, përmendjen e Allahut dhe leximin e Kur’anit në këtë muaj dhe jeni të sinqertë në të gjitha veprat e juaj dhe kërkoni prej Allahut që t’ua pranon veprat.

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

  • VEPRA TË MIRA NË RAMAZAN

    VEPRA TË MIRA NË RAMAZAN

    1. Namazi farz (i detyruar).
    2. Agjërimi i Ramazanit.
    3. Namazi i teravive.
    4. Përshpejtimi i iftarit.
    5. Vonimi i syfyrit.
    6. Shqiptimi i fjalës: “Subhane Melikil-Kuddus (I Lartësuar qoftë Allahu, Sunduesi, i Shenjti dhe i Pastri nga çdo e metë)”; tri herë pas namazit të vitrit (pasi të jepet selam).
    7. Falja e suneteve revatib (të rregullta që falen para dhe pas farzit).
    8. Falja e namazit të duhasë.
    9. Dhënia e sadakasë.
    10. Tehlili – shqiptimi i fjalës la ilahe il-lallah (nuk i takon askujt adhurimi me të drejtë, përveç Allahut).
    11. Tesbihi – shqiptimi i fjalës subhanallah (i Lartësuar qoftë Allahu).
    12. Tehmidi – shqiptimi i fjalës elhamdulilah (Falënderimi i takon Allahut).
    13. Tekbiri – shqiptimi i fjalës Allahu ekber (Allahu është më i Madhi).
    14. Shqiptimi i fjalës “la haule ue la kuvete il-la bilah” (nuk ka ndryshim e as forcë pa lejen dhe ndihmën e Allahut).
    15. Përsëritja e fjalëve të myezinit gjatë thirrjes së ezanit.
    16. Istigfari (kërkimfalja).
    17. Duaja.
    18. Dërgimi i salavateve për Muhamedin ﷺ.
    19. Leximi i Kuranit.
    20. Meditimi dhe përsiatja e Kuranit.
    21. Nxënia përmendsh e Kuranit.
    22. Mësimi i Kuranit së bashku me dikë tjetër.
    23. Leximi i komentit të Kuranit.
    24. T’ua mësosh Kuranin të tjerëve e, në veçanti, fëmijëve suren El-Fatiha.
    25. Pendimi dhe kthimi kah Allahu.
    26. Respektimi i prindërve.
    27. Respektimi i lidhjeve farefisnore.
    28. Mbajtja e lidhjeve me shokët e prindërve.
    29. Fisnikërimi i mysafirit.
    30. Përcjellja e mysafirit.
    31. Sjellja e mirë me fqinjët.
    32. Përhapja e selamit.
    33. Ofrimi i ushqimit.
    34. Fjala e mirë.
    35. Shqiptimi i dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes.
    36. Shqiptimi i dhikrit që thuhet nëpër situata dhe gjendje të ndryshme.
    37. Fjetja me abdes.
    38. Guslli i xhumasë.
    39. Parfumosja për xhuma.
    40. Nisja më herët për në xhami për namazin e xhumasë.
    41. Afrimi afër imamit.
    42. Plotësimi i vendeve të zbrazëta.
    43. Plotësimi dhe rregullimi i safave.
    44. Buzëqeshja.
    45. Meditimi në shenjat e Allahut në kozmos.
    46. Përballimi i dhembjeve që t’i shkaktojnë myslimanët dhe durimi me ta.
    47. Sjellja e mirë me njerëzit.
    48. Butësia dhe mosnxitimi.
    49. Fytyrëqeshja.
    50. Përmbajtja e zemërimit dhe e hidhërimit.
    51. Realizimi i premtimit.
    52. Falja e namazit të pendimit (teubes).[1]
    53. Falja e dy rekateve pas marrjes së abdesit.
    54. Këshilla dhe udhëzimi.
    55. Mësimi i të paditurit.
    56. Thirrja në të mirë.
    57. Ndalimi nga e keqja.
    58. Ndihma dhe mbështetja ndaj atij që i është bërë padrejtësi.
    59. Ulja e shikimit.
    60. Vizita e vëllezërve myslimanë për hir të Allahut.
    61. Prezentimi në xhenaze (falja e namazit të të vdekurit dhe përcjellja e xhenazes).
    62. Ngushëllimi i familjes së të vdekurit.
    63. Vizita e të sëmurëve.
    64. Përgjigjja e ftesës së ftuesit.
    65. Ngushëllimi i të pikëlluarit.
    66. Pritja e namazit pas namazit.
    67. Prezentimi në mexhliset e dijes nëpër xhamia.
    68. Respektimi i dijetarëve.
    69. Kundërshtimi i dyshimeve.
    70. Përhapja e sunetit të Profetit ﷺ.
    71. Dhënia e dhuratave.
    72. Përshëndetja e myslimanit për dore, duke kërkuar me të Fytyrën e Allahut.
    73. Respektimi i të moshuarve.
    74. Larja e borxhit.
    75. Dhënia borxh nevojtarit.
    76. Shtyrja e afatit të kthimit të borxhit atij që ka vështirësi ta kthejë.
    77. Falja e borxhit ose lehtësimi i tij.
    78. Nxitimi në larjen e borxhit të atyre që nuk kanë mundësi t’i kthejnë borxhet, si dhe larja e faturave të nevojtarëve.
    79. Ndërmjetësimi i drejtë dhe i mirë.
    80. Lehtësimi duke ia kthyer mallin e blerë atij që e blen një mall dhe më pas dëshiron ta kthejë.
    81. Largimi i pengesave në rrugë.
    82. Toleranca në shitje dhe në blerje.
    83. Mbulimi i të metave të myslimanëve.
    84. Përkujdesja për jetimin.
    85. Përkujdesja për gratë e veja.
    86. Ndërtimi i xhamive.
    87. Udhëzimi për në hair dhe mirësi.
    88. Botimi i librave.
    89. Përhapja e dijes së dobishme nëpër rrjete sociale dhe faqe interneti.
    90. Mësimi i tjetrit dhe dëgjimi i këshillave.
    91. Ndihma dhe lehtësimi i tjetrit për t’u martuar.
    92. Paqësimi në mes dy të armiqësuarve.
    93. Shoqërimi i njerëzve të mirë.
    94. Lënia e vakëfit.
    95. Kryerja e umresë.
    96. Dashuria për hir të Allahut.
    97. Falja.
    98. T’i ndihmosh një zanatçiu ose t’ia mësosh një zanat një të padituri (i paditur e ka për qëllim atë që nuk ka asnjë zanat që nga ai zanat të përfitojë), ta ushtrosh pa të holla ose t’ia mësosh punën.
    99. Futja e gëzimit në shpirtin e tjetrit.
    100. Furnizimi i të varfërve dhe të ngratëve me ushqim.
    101. Fërkimi i kokës së jetimit.
    102. Përkujdesja për abdesin.
    103. Kujdesi për vajzat dhe motrat.
    104. Shpenzimi për gruan dhe fëmijët.
    105. Respektimi i burrit dhe nderimi i tij.
    106. Përkujdesja për shtëpinë.
    107. Pastrimi i xhamive.
    108. T’u shërbesh ujë njerëzve.
    109. Mirënjohja dhe falënderimi i tjetrit për bamirësinë e bërë ndaj teje.
    110. Shpërblimi i atij që të ka bërë mirë dhe lutja për të.
    111. Të qarët nga frika e Allahut.
    112. Të kërkosh nga Allahu që të biesh dëshmor.
    113. Ulja bashkërisht për të ngrënë.
    114. Veshja e rrobave me ngjyrë të bardhë.
    115. Ngjyrosja e flokëve të thinjura (përveç ngjyrës së zezë, e cila nuk lejohet).
    116. Mbjellja e një peme me nijet të mirë.
    117. Kryerja e nevojave të myslimanëve.
    118. Kërkimfalja për myslimanët dhe myslimanet.
    119. Ruajtja e nderit të gruas.
    120. Llogaritja në shpërblimin e Allahut për bërjen e rukjes.
    121. Larja e xhenazes dhe qefinosja e saj, duke llogaritur në shpërblimin e Allahut.
    122. Përgëzimi i myslimanit për ndonjë begati.
    123. Të shkruarit e vasietit (testamentit) me të drejtë.
    124. Veshmbathja e myslimanit.
    125. Mbathja e këpucëve duke filluar me këmbën e djathtë.
    126. Zbathja e këpucëve duke filluar me të majtën.
    127. Pirja e ujit ulur.
    128. Rikujtimi i shehadetit (fjalës la ilahe il-lallah) atij që është në prag të vdekjes.
    129. Fillimi i çdo pune të hairit me emrin e Allahut (me Bismilah).
    130. Përkujdesja për ta përdorur misvakun.
    131. T’ia kthesh borxhin atij që ia ke pasur borxh dhe ta shpërblesh për bamirësinë ndaj teje.[2]
    132. Falja e namazit të istihares.
    133. Sexhdja e falënderimit.
    134. Ndryshimi i betimit për ndonjë dobi sheriatike duke e shpaguar atë.
    135. Ndihma ndaj anëtarëve të familjes në shtëpi.
    136. Ecja për në xhami.
    137. Marrja e sutres për namaz.
    138. Zbukurimi i zërit gjatë leximit të Kuranit.
    139. Kërkimi i lejes për të hyrë brenda.
    140. Vendosja e dorës mbi gojë kur ndonjërit i hapet goja.
    141. Qëndrimi në xhami pas faljes së namazit të sabahut e deri në lindjen e diellit.
    142. Urdhërimi i familjes dhe i fëmijëve për ta falur namazin.
    143. Falja e dy rekateve kur të hysh në shtëpi dhe dy rekate para se të dalësh nga shtëpia.
    144. Fërkimi i fytyrës me dorë kur të ngrihemi nga gjumi për namaz nate dhe leximi i ajeteve të fundit të sures Ali Imran.
    145. Plotësimi i abdesit.
    146. Thënia e fjalës “Jerhamukallah” (Allahu të mëshiroftë) kur tjetri teshtin dhe thotë “Elhamdulilah” (Falënderimi i takon Allahut).
    147. Udhëzimi i nevojtarit duke ia treguar mënyrën se si të arrijë deri tek ajo që e kërkon.
    148. Fjetja me abdes.
    149. Shoqërimi i të vetmuarit (atij që ka telashe).
    150. Strehimi i të huajit.
    151. Parfumosja e xhamive.
    152. Shpërndarja dhe radhitja e mus’hafave nëpër xhami.
    153. Përhapja e dijes nëpër faqe interneti, kanale televizive, satelitore dhe radio.
    154. Mbajtja e mësimeve, e ligjëratave dhe e seminareve shkencore.
    155. Huazimi i rrobave, arit për zbukurim, enëve apo mjeteve elektronike dhe çdo gjëje të dobishme.
    156. Formimi dhe ngritja e shoqatave dhe e organizatave bamirëse.
    157. Shpenzimi për kërkuesit e dijes dhe përkujdesja për ta.
    158. Përgatitja e librave dhe e programeve për fëmijët e myslimanëve.
    159. Përcjellja e dijes me amanet: “Allahu ia ndriçoftë fytyrën atij që e dëgjon thënien time, e kupton atë dhe e mëson përmendsh dhe ua përcjell të tjerëve.”[3]
    160. Mbrojta e nderit të myslimanëve.
    161. Dëgjimi i Kuranit.
    162. Dhënia e shpërblimeve dhe nxitja e njerëzve për marrje të dijes dhe mirësi.
    163. Butësia dhe sjellja e mirë me fëmijët.
    164. Rikujtimi i të tjerëve në lidhje me afrimin e rasteve apo kohëve të hairit.
    165. Ruajtja e amaneteve dhe kthimi i tyre.
    166. Kurimi i të sëmurëve duke llogaritur në shpërblimin e Allahut.
    167. Bamirësia ndaj kafshëve dhe zogjve.
    168. Përpjekja në adhurime në dhjetëshin e fundit të Ramazanit.
    169. Ngritja e familjes nga gjumi natën për namaz nate.
    170. Qëndrimi në itikaf.
    171. Kërkimi i natës së Kadrit (në dhjetëshin e fundit).
    172. Përpjekja në adhurime në natën e Kadrit.
    173. Lutja e Allahut për falje në këtë natë dhe shpeshtimi i lutjes: “O Allahu im! Ti je Falës, e do faljen, andaj më fal mua.”[4]

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

    [1] Namazi i pendimit është i ligjshëm dhe ka ardhur në sunet. Ebu Bekër Es-Sidiku h përcjell se Profeti ﷺ tha: “Nuk ka rob që bën mëkat dhe më pas merr abdes si është më mirë dhe i fal dy rekate dhe kërkon falje nga Allahu, vetëm se Allahu t’ia falë atij. Më pas e lexoi ajetin: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Ali Imran: 153). Hadithin e shënon Ebu Davudi (1521), shejh Albani e vlerësoi të saktë në Sahih Ebu Davud. Për më tepër shih: https://islamqa.info/ar/98030 (sh.p.)

    [2] D.m.th. ia kthen borxhin dhe i jep diçka si dhuratë për bamirësinë ndaj teje, ndërsa, nëse ai që të jep borxh, të kushtëzon që t’ia kthesh borxhin më tepër sesa t’i ka dhënë, kjo është kamatë dhe është e ndaluar, kurse, nëse borxhliu nga vetja dëshiron ta shpërblejë pasi t’ia kthejë borxhin në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për bamirësinë ndaj tij, kjo lejohet. (sh.p).

    [3] Hadith të cilin e përcjell Abdullah ibën Mesudi h dhe e shënojnë imam Tirmidhiu, Ibën Maxhe, Ahmedi, Ibën Hibani dhe të tjerët. (sh.p).

    [4] Shënon imam Tirmidhiu (3850), shejh Albani e saktësoi në Sahih Et-Tirmidhij (3/170). (sh.p)

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Pjesë e librit : “Udhërrëfyes për muajin e Ramazanit”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • Ramazani dhe veprat e mira (HUTBE)

    Ramazani dhe veprat e mira (HUTBE)

    Vëllezër të nderuar, secili prej nesh ka një rrugëtim drejt Allahut të Madhëruar. Gjatë muajit Ramazan këtij rrugëtimi mund t’i biem më trup, pra, mund ta shkurtojmë edhe më tepër për të arritur më shpejt drejt Allahut.

    Për ta shkurtuar këtë rrugëtim, kemi dy mundësi: të shpejtojmë me vepra të mira, ose të kujdesemi më tepër për ta rregulluar zemrën tonë.

    Shikoni çfarë thotë Allahu për Ibrahimin ﷺ :

    ﴿إِذۡ جَآءَ رَبَّهُۥ بِقَلۡبٖ سَلِيمٍ٨٤﴾

    “Kur Zotit të vet i erdhi me zemër të pastër.” (Safat,84) Pra, Ibrahimi ﷺ  ia shkurtoi vetvetes rrugëtimin, duke u marrë me zemrën e vet.

    Nëse ne i shikojmë temat e sures el Bekare, do të shohim se kjo temë është tema me e theksuar. Duke filluar nga populli i Musait ﷺ , e shohim se ishin shumë në hamendje për ta kryer atë urdhrin e Allahut që të therin një lopë. Allahu sikur po na thotë: Mos u bëni sikur populli i Musait ﷺ  që u hamendën në kryerjen e urdhrave të Allahut, por bëhuni të dëgjueshëm.

    Pastaj e kemi ajetin:

    ﴿ أَفَتُؤۡمِنُونَ بِبَعۡضِ ٱلۡكِتَٰبِ وَتَكۡفُرُونَ بِبَعۡضٖۚ ٨٥﴾

    “A po e besoni një pjesë të Librit, kurse pjesën tjetër po e mohoni.” (El Bekare, 85)

    Domethënë, besoni me zemër siç duhet, tërë atë që është prej të Gjithëdijshmit, të Urtit absolut.

    Po ashtu Allahu thotë:

    ﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱدۡخُلُواْ فِي ٱلسِّلۡمِ كَآفَّةٗ وَلَا تَتَّبِعُواْ خُطُوَٰتِ ٱلشَّيۡطَٰنِۚ إِنَّهُۥ لَكُمۡ عَدُوّٞ مُّبِينٞ٢٠٨﴾

    “O ju që keni besuar, hyni tërësisht në Islam, e mos i pasoni hapat e shejtanit sepse ai është armik i qartë  juaji.” (Bekare, 208)

    Pastaj shpejtimi në Ramazan mund të bëhet me Kuran:

    ﴿شَهۡرُ رَمَضَانَ ٱلَّذِيٓ أُنزِلَ فِيهِ ٱلۡقُرۡءَانُ ١٨٥﴾

    “Muaji Ramazan, në të cilin ka zbritur Kurani.” (Bekare, 185)

    Vëllezër të nderuar, ne e dimë se qytete e shtete të ndryshme kanë disa shenja, disa ndërtesa ose gjëra të tjera që e identifikojnë. Filan shteti e ka filan malin, filan qyteti e ka filan fabrikën, filan vendi e ka filan lumin etj. Edhe muaji Ramazan e ka logon e vet, e ka shenjën e vet, që është Kurani. Pra, Ramazani njihet me Kuran, sepse në të ka zbritur Kurani, e nuk është vetëm agjërimi.

    Pejgamberi ﷺ  çdo natë Ramazani takohej me Xhibrilin dhe e mësonin dhe e lexonin Kuranin mes vete. Në kohën e sahabëve teravitë faleshin aq gjatë, saqë kishte njerëz që mbështeteshin për shkopi dhe tërë kjo bëhej që të lexonin më gjatë Kuran në namaz.

    Imam Zuhriu për muajin Ramazan thoshte: “Tani i kemi dy gjëra: leximin e Kuranit dhe dhënien e bukës.” Po ashtu, sot kemi njerëz që e lexojnë Kuranin shumë dhe bëjnë disa hatme brenda Ramazanit.

    Çështja është shumë e lehtë: surja el Ihlas (Kul huvallahu ehad) i ka 66 shkronja dhe për çdo shkronjë kemi nga 10 sevape, atëherë për këtë sure i kemi 660 sevape, në më pak se një minutë.

    Shkurtimi i rrugëtimit me bamirësi

    Nëse ne rrimë me bamirës, do të bëhemi sikurse ai. Pra, ne kemi mundësi ta mësojmë praktikisht bamirësinë. Mirëpo, ka të atillë që bamirësinë e kanë virtyt familjar, babë e babagjysh kanë qenë bamirës, prandaj dhe djali është i tillë.

    Shikojeni Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎): ai e kishte zakon që të bënte iftar me të varfrit. E, nëse familjarët e tij ia përzinin të varfrit, Ibn Omeri hidhërohej dhe nuk hante bukë fare.

    Pastaj duhet ta kemi parasysh edhe këtë hadith:

    “Sa ushqim i keq është ai i gostisë ku ftohen vetëm të pasurit e lihen të varfrit.”[1]

    Madje, të pasurit shpeshherë refuzojnë të përgjigjen, sepse nuk u duket diç e re, për shkak se kanë mjaftueshëm, ndërsa të varfrit zakonisht u përgjigjen këtyre ftesave.

    Këtu vëllezër duhet të kemi kujdes ta bëjmë dallimin mes “fukarave” (të varfërve) dhe “miskinëve” (nevojtarëve). Allahu thotë:

    ﴿۞إِنَّمَا ٱلصَّدَقَٰتُ لِلۡفُقَرَآءِ وَٱلۡمَسَٰكِينِ ٦٠﴾

    “Zekati u takon vetëm të varfërve e nevojtarëve…” (Teube, 60)

    “Fukuratë” s’kanë fare, ose kanë shumë pak.

    “Miskinët” e kanë gjendjen më të mirë se fukaratë, porse të hyrat mujore që i kanë nuk u mjaftojnë për harxhimet elementare, për një jetë mesatare.

    Për shembull, nëse një familje me pesë anëtarë, të hyrat mujore i kanë vetëm 250-300 euro (që i bie për person vetëm 50-60 euro), atëherë themi se këtyre lejohet t’u japim, t’ua lehtësojmë gjendjen e t’u ndihmojmë, sepse të hyrat që i kanë nuk u mjaftojnë për një jetë mesatare (kjo për vitin 2021). Gjendja rëndohet edhe më shumë nëse kanë borxhe ose nëse kanë ndonjë të sëmurë, ose nëse banojnë me qira etj.

    Pjesa e dytë e hutbes

    “Agjëruesi ka dy gëzime: gëzohet kur të bëjë iftar dhe gëzohet kur të takohet me Zotin e vet.”[2]

    Po pra, gëzohet kur të bëjë iftar, sepse gjërat që në parim i ka hallall t’i hajë e t’i pijë i janë bërë haram, por me perëndimin e diellit i lejohen atij, prandaj dhe gëzohet.

    Ndërkaq, gëzimi me takimin me Allahun ka të bëjë me shpërblimin që i është rezervuar.

    ﴿۞ وَمَا تُقَدِّمُواْ لِأَنفُسِكُم مِّنۡ خَيۡرٖ تَجِدُوهُ عِندَ ٱللَّهِ هُوَ خَيۡرٗا وَأَعۡظَمَ أَجۡرٗاۚ ٢٠﴾

    “… Çdo të mirë që e përgatitni ju për vete më parë, do ta gjeni tek Allahu më të mirë dhe (do të keni) shpërblim më të madh.” (El Muzemil, 20)

    Këtë gëzim e shton edhe më tepër kur e dimë këtë përgëzim, kur Allahu thotë për agjërimin: “Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të.”[3]

    Kuptimi i këtij hadithi:

    Disa dijetarë kanë thënë: Më agjërim askush nuk është adhuruar përpos Allahut Fuqiplotë.

    Disa të tjerë kanë thënë: “Agjërimi nuk bëhet sa për sy e faqe, por bëhet vetëm për Allahun.”

    Disa kanë thënë: “Vetëm Allahu e di shpërblimin e madh që do t’ia japë agjëruesit.”

    Pra, të gjitha këto përgëzime do t’i ketë agjëruesi. E si të mos gëzohet edhe më tepër?

    [1] Muslimi nr.1432.

    [2] Buhariu nr.7492.

    [3] Buhariu nr.7538.

    Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

  • DISA GABIME QË VEPROHEN GJATË RAMAZANIT

    DISA GABIME QË VEPROHEN GJATË RAMAZANIT

    1. Braktisja e lutjes para namazit të akshamit.
    2. Vonimi i iftarit derisa të kryhet ezani (prej sunetit është përshpejtimi i tij).
    3. Falja e namazit të akshamit në shtëpi dhe jo në xhami me xhemat.
    4. Teprimi në ushqim dhe pije.
    5. Humbja e kohës në gjëra të kota në mes dy namazeve, të akshamit dhe jacisë.
    6. Mosplotësimi i namazit të teravive me imam.
    7. Shpërfillja e syfyrit.
    8. Braktisja e lutjes në kohën e syfyrit.
    9. Shkujdesja nga gjallërimi i natës së Kadrit (qëllimi është për 10 netët e fundit).
    10. Shkujdesja nga leximi i Kuranit dhe të përfunduarit e tij.
    11. Moskalitja e fëmijëve që të mësohen të agjërojnë.
    12. Falja e namazit vetëm se gjatë muajit të Ramazanit dhe braktisja e tij jashtë Ramazanit.
    13. Të preokupuarit me filma dhe seriale.
    14. Të fjeturit e tepërt gjatë ditës dhe ndeja gjatë natës duke e kaluar në gjëra të padobishme.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • NAMAZI I NATËS DHE NAMAZI I TERAVIVE

    NAMAZI I NATËS DHE NAMAZI I TERAVIVE

    1. Fjala ‘Kijamul lejl’[1] do të thotë zgjohet natën për t’u falur, para se të bjerë në gjumë ose pasi të zgjohet nga gjumi.

    Kurse fjala ‘Et-tehexhud’ është namazi që falet natën pasi zgjohet nga gjumi.

    ‘Hexhede er-rexhulu’ do të thotë fle natën.

    Fjala ‘Hexhede’ do të thotë falet natën.

    Kurse ‘El-Mutehexhid’ është ai që zgjohet nga gjumi natën për t’u falur.[2]

    1. Namazi i natës është sunet i vërtetuar (i fortë), i vërtetuar me Kuran, me Sunet dhe me unitetin e umetit.

    Allahu, kur i përshkruan cilësitë e robërve të të Gjithëmëshirshmit, thotë: “…dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë;” (El-Furkan: 64)

    Allahu në Kuran i lavdëroi të devotshmit me fjalët e Tij: “Pa dyshim, ata që i frikësohen Allahut, do të jenë në kopshte dhe burime, duke marrë atë që ua ka dhuruar Zoti i tyre, meqë më parë kanë qenë punëmbarë. Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 15-18)

    “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ta (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde: 16-17)

    “A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarin)?! Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!” (Ez-Zumer: 9)

    Ka edhe shumë ajete të tjera ku në to Allahu i lavdëroi të devotshmit.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Agjërimi më i mirë pas agjërimit të Ramazanit, është agjërimi i muajit Muharrem. Namazi më i mirë pas namazit farz, është namazi i natës.”[3]

    1. Disa dijetarë, bazuar në hadithin e lartpërmendur, thanë që namazi i natës, në mënyrë absolute, është namazi më i vlefshëm pas namazit farz. Në anën tjetër, shumica e dijetarëve thanë që namazi i natës është namazi më i vlefshëm pas namazit farz dhe pas suneteve të vazhdueshme (të forta që falen para dhe pas namazit farz), ndërsa për hadithin e lartpërmendur thanë që për qëllim është se namazi i natës është më i mirë se çdo namaz vullnetar i përgjithshëm, pa i përfshirë këtu sunetet e vazhdueshme.

    Dijetarët janë unikë se namazi vullnetar gjatë natës është më i vlefshëm se namazi vullnetar gjatë ditës. Po ashtu, istigfari (kërkimfalja) në kohën e agimit është më i vlefshëm se në kohët e tjera.

    1. Namazi i natës është një nga shkaqet që e fusin njeriun në Xhenet dhe i ngrihen shkallët në të. Pejgamberi ﷺ thotë: “Në Xhenet ka dhoma, pjesa e jashtme e tyre duket nga brenda dhe pjesa e brendshme e tyre duket nga jashtë… Allahu i ka përgatitur për atë që flet mirë, jep ushqim, agjëron dhe falet natën kur njerëzit janë në gjumë.”[4]

    Fjalët e para që Pejgamberi ﷺ i tha kur hyri në Medine ishin: “O ju njerëz, përhapeni selamin, jepni ushqim, faluni natën kur njerëzit janë në gjumë, do të hyni me paqe në Xhenet.”[5]

    1. Namazi i natës është një nga shkaqet që e shpëtojnë njeriun nga ndëshkimi i zjarrit.

    Rrëfehet për Abdullah ibën Omerin k se kishte parë në ëndërr dy melekë që e morën dhe e çuan te zjarri. Abdullahu filloi të thoshte: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga zjarri!” Më pas Abdullahu thotë që e takuam edhe një melek tjetër, i cili më tha: “Mos u friko, nuk do të dëmtohesh.” Kur i treguan Pejgamberit ﷺ për ëndrrën tha: “Sa njeri i mirë që është Abdullah ibën Omeri, sikur të falej edhe natën.” Pas kësaj Abdullah ibën Omeri më nuk flinte natën, përveçse pak.[6]

    Dijetarët thonë: “Nga dobitë e hadithit është paraqitja e vlerës së namazit të natës dhe ai është shkak që njeriun e shpëton nga zjarri.

    Abdullah ibën Omerit i thanë: ‘Mos u friko, nuk do të dëmtohesh’, për shkak se ishte njeri i mirë dhe punëmirë, përveçse nuk falte namaz nate shumë; e sikur të falej natën, nuk do ta çonin te zjarri dhe s’kishte për ta parë atë.

    Prej atëherë që Abdullahu e pa në ëndërr se si dukej zjarri i Xhehenemit, nuk e la më namazin e natës.

    Po ashtu, nga dobitë e hadithit është se ai që falet natën përshkruhet si ‘burrë i mirë’.”[7]

    1. Namazi i natës është praktikë e njerëzve të mirë, zakoni dhe emblema e të devotshmëve, medreseja e besimtarit dhe Xheneti i tij në dynja.

    Allahu në Kuran i lavdëroi robërit e Tij të devotshëm me fjalët: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18)

    “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ta (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde: 16-17)

    “…dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë.” (El-Furkan: 64)

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Faleni namazin e natës, sepse ai është praktikë e njerëzve të mirë para jush, shkak që t’i afroheni Zotit tuaj dhe që t’ju falen mëkatet. Namazi i natës e ndalon të keqen dhe e largon sëmundjen prej trupit.”[8]

    1. Prishja e gjumit, braktisja e shtratit të ngrohtë dhe ngritja për namazin e natës janë sebepe që Allahu ta dojë robin dhe ta lavdërojë veprën e tij.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Zoti ynë çuditet me dy persona: Njeriu që ngrihet prej shtratit dhe familjes e shkon në namaz. Atëherë Allahu thotë: ‘O ju melekët e Mi, shikojeni robin Tim si është ngritur për namaz, e ka lënë shtratin dhe familjen dhe ka ardhur në namaz, nga dëshira dhe malli që ta fitojë atë që është tek Unë’.

    Dhe me tjetrin që doli të luftonte në rrugë të Allahut, bashkëluftëtarët e tij e humbën betejën, ndërsa ky mbeti të vendoste në mes ikjes dhe qëndrimit, e dinte shpërblimin e çdonjërës vepër, prandaj u kthye në betejë derisa u derdh gjaku i tij. Allahu u tha melekëve: ‘O ju melekët e Mi, shikojeni robin Tim, u kthye nga dëshira dhe malli që ta fitojë atë që është tek Unë, derisa u derdh gjaku i tij’.”[9]

    I pari prej tyre e la shtratin për Allahun, i dha përparësi veprës që e do Allahu para veprës që e do shpirti i tij, u ngrit dhe i radhiti këmbët për namaz për Zotin e tij, e shpërblimi ishte përjetësi në kopshtet e begata të Xhenetit, ashtu siç Allahu thotë: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ta (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde: 16-17)

    Muhamed El-Kuredhij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ata e fshehën veprën (u falën natën kur nuk i shihte askush) dhe si shpërblim Allahu e fshehu për ata sevapin (në jetën tjetër). U ngritën natën, e synuan Allahun, andaj u gëzuan sytë dhe shpirtrat e tyre.”[10]

    Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Medito se si Allahu i shpërbleu për fshehjen e namazit të natës; me shpërblime që askush nuk di se çfarë janë fshehur për ata (në jetën tjetër). Dhe medito se si Allahu i shpërbleu për mërzinë, frikën dhe mallëngjimin që e kishin në shtrat dhe zgjoheshin për namaz nate; i shpërbleu me gëzimin e syve dhe shpirtrave të tyre në Xhenet.”[11]

    Ai që natën e prish gjumin dhe e lë shtratin e ngrohtë është nga të devotshmit që për ta Allahu thotë: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18)

    1. Namazi i natës është nder për besimtarin, shkak për ngritjen e pozitës së tij.

    Përcillet me një hadith se i erdhi një ditë Xhibrili Pejgamberit ﷺ dhe i tha: “O Muhamed, dije se lartësimi i besimtarit arrihet me namazin e natës dhe krenaria e tij është duke mos pasur nevojë për njerëzit.”[12]

    1. Leximi i Kuranit në namazin e natës është thesar i madh, nga leximi i tij privohen veç i shkujdesuri.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Kush i lexon dhjetë ajete në namazin e natës, nuk shkruhet nga të pakujdesshmit; kush i lexon njëqind ajete në namazin e natës, shkruhet nga të devotshmit; kush i lexon një mijë ajete në namazin e natës shkruhet nga pronarët me pasuri të panumërt.”[13]

    Pejgamberi ﷺ u tha shokëve të tij: “A dëshironi që kur të ktheheni te familjet tuaja t’i gjeni tri deve me bark (shtatzëna), të mëdha dhe të shëndosha?” I thanë: “Po.” Ai u tha: “Kush i lexon në namaz tri ajete, për të janë më të mira se tri deve me bark (shtatzëna), të mëdha dhe të shëndosha.”[14]

    1. Leximi i Kuranit në namazin e natës është mirësi e madhe, myslimanët njëri me tjetrin duhet që të garojnë në këtë fushë, si dhe t’ua kenë lakminë atyre që e lexojnë.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Zilia nuk lejohet, përveç në dy raste: T’ia kesh zili një njeriu që Allahu ia ka mësuar Kuranin, atë e lexon gjatë natës dhe gjatë ditës. Dhe t’ia kesh zili një njeriu që Allahu i dha pasuri dhe atë e shpenzon në rrugë të drejtë gjatë ditës dhe gjatë natës.”[15]

    Zilia e përmendur në këtë hadith nuk e ka për qëllim zilinë që ndalohet, sepse ai lakmon t’i posedojë ato begati sikurse tjetri dhe të veprojë me to sikurse vepron tjetri, por nuk e dëshiron largimin e tyre prej pronarit. Kjo lloj zilie është e pëlqyer në fushën e ibadetit. Kurse, zilia e cila ndalohet është ajo kur njeriu e dëshiron largimin e begative nga tjetri dhe zhdukjen e tyre. Kuptimi i përgjithshëm është që nuk ka zili që pëlqehet, përveç këtyre dy cilësive dhe të ngjashmeve me to në kuptim.[16]

    1. Namazi i natës është një nga format e falënderimit të Allahut për mirësinë trupore që ia dha njeriut.

    Pejgamberi ﷺ falej natën derisa i ënjteshin këmbët e tij, e i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Allahu t’i ka falur të gjitha gjynahet e mëhershme dhe të mëvonshme!” Tha: “A të mos jem rob falënderues?!”[17]

    Në Pejgamberin e Allahut ﷺ ne e kemi shëmbëlltyrën më të mirë.

    Abdullah ibën Revaha h për Pejgamberin e Allahut tha:

    “Në mesin tonë e kemi Pejgamberin e Allahut, na lexon librin e Allahut;

    Kur çelet dita në agim me shkëlqimin e saj;

    Ai na e mësoi udhëzimin me të pasi ishim të verbër;

    Zemrat të bindura plotësisht se atë që e tregon (Pejgamberi ﷺ) është e vërtetë dhe do të ndodhë;

    Kalon natën dhe trupi i tij nuk e prek shtratin;

    Kur jobesimtarët në shtrat thellohen në gjumë.”[18]

    1. Namazi i natës fillon pas namazit të jacisë e deri në lindjen e sabahut (imsakut). Namazi i natës lejohet të falet në fillim, në mes ose në fund të natës.

    Koha më e mirë për namaz është pjesa e tretë e natës. Në këtë kohë zbret Allahu në qiellin e dynjasë.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Koha, kur Zoti është më afër robit të Tij, është në pjesën e fundit të natës. Nëse ke mundësi të jesh nga ata që e përmendin Allahun në këtë kohë, bëhu prej tyre.”[19]

    Me një hadith tjetër: “Namazi më i dashur për Allahun është namazi i Davudit ndhe agjërimi më i dashur për Allahun është agjërimi i Davudit n. Ai flinte në gjysmën e parë të natës, falej në një të tretën tjetër dhe përsëri flinte në një të gjashtën që mbetej nga nata. Agjërimi i tij ishte një ditë po dhe një ditë jo.”[20]

    Me një hadith tjetër: “Zbret Allahu i Madhërishëm për çdo natë në qiellin e dynjasë kur mbetet një e treta e fundit prej saj dhe thotë: “Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush kërkon prej Meje që t’i jap? Kush kërkon falje që ta fal atë?”[21]

    1. Namazi i natës nuk ka numër të kufizuar të rekateve, mund të falen më shumë ose më pak, edhe pse shkurtimi në njëmbëdhjetë rekate është më i mirë, nga fakti që kështu veproi Pejgamberi ﷺ .

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Namazi i natës është dy nga dy. Nëse dikush nga ju frikësohet për humbjen e namazit të sabahut, le ta falë vitrin një rekat, që t’i përfundojë me tek namazet që i ka falur gjatë ditës.”[22]

    Aisha i përcjell që Pejgamberi ﷺ në Ramazan dhe jashtë Ramazanit, në namazin e natës nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate.[23]

    1. Myslimani, para se të bjerë të flejë, është mirë që ta bëjë nijetin të zgjohet natën për t’u falur. Nijeti i tij duhet të jetë i prerë dhe i vendosur, ndërsa për gjumin që e bën ta bëjë nijetin të forcohet për ibadet, që ta fitojë shpërblimin e gjumit dhe të namazit të natës.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Kush e ka zakon të zgjohet për namazin e natës, por e zë gjumi (ndonjë natë), Allahu ia shkruan atij shpërblimin e namazit (sikurse të kishte falur), kurse gjumi i tij i shkruhet lëmoshë.”[24]

    1. Për atë që zgjohet natën për t’u falur pëlqehet:

    – Të fërkojë me duar fytyrën që ta largojë gjumin.

    – T’i lexojë lutjet e zgjimit nga gjumi.

    – Ta përdorë misvakun.

    – T’i lexojë ajetet e fundit të sures Ali Imran: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët…” e deri në fund të sures (Ali Imran: 190-200).

    – Namazin ta hapë me faljen e dy rekateve të lehta, e pastaj të falet sa të dojë dhe pas faljes së çdo dy rekateve të japë selam.

    – Namazin ta përfundojë me faljen e vitrit. Falja e vitrit në fund të natës është më mirë.

    1. Sipas disa dijetarëve, namazi në të cilin qëndrohet më gjatë në këmbë, është më i mirë se namazi ku në të qëndrohet më gjatë në ruku dhe sexhde dhe numri i rekateve është më i madh. Për bazë e marrin hadithin: “Namazi më i mirë është ai namaz në të cilin qëndrohet gjatë në këmbë.”[25]

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, mendon se qëndrimi i gjatë në këmbë, në ruku dhe në sexhde në namaz është më i mirë se namazi që ka më shumë rekate, ruku dhe sexhde. Po ashtu, tha që sexhdja është më e mirë se qëndrimi në këmbë.[26]

    Ndoshta më afër së vërtetës është që kjo çështje varet nga gjendja e namazfalësit, andaj secili le të falet sipas ambicies dhe vitalitetit të tij, përuljes dhe kënaqësisë që e ndien në namaz, mundësisë dhe takatit që Allahu ia jep për namaz. Kush e zgjat qëndrimin në këmbë, le ta zgjasë rukunë dhe sexhden. Kush e shkurton qëndrimin në këmbë, le ta shkurtojë rukunë dhe sexhden. Kush i ndryshon mënyrat herë pas here dhe falet herë ashtu e herë ashtu, kjo është më e mirë.

    1. Nga rregullat e leximit të Kuranit në namazin e natës janë:

    Pëlqehet që Kuranin ta lexojë rrjedhshëm dhe ngadalë që kjo t’i ndihmojë në kuptimin dhe përsiatjen e tij, të kujdeset për rregullat e texhvidit dhe të leximit, ta zbukurojë zërin gjatë leximit, të mos e ngrejë zërin shumë e as të mos e ulë shumë, por niveli i zërit të jetë mesatar.

    Gjatë leximit të ndalet te kuptimi i ajeteve, t’i lexojë me përulje, t’i rrënqethet lëkura gjatë dëgjimit të tyre dhe t’i lotojnë sytë nga ndikimi i tyre në zemrën e tij.

    Gjatë leximit të ndalet tek ajetet dhe t’i meditojë; kur të kalojë tek ajeti ku përmendet lavdërimi i Allahut, pëlqehet të thotë subhanallah, kur të kalojë tek ajeti ku përmendet mëshira, pëlqehet të ndalet dhe ta kërkojë mirësinë nga Allahu. Kur të kalojë tek ajeti ku kërkohet mbrojtje ose tek ajeti ku përmendet ndëshkimi i Allahut, pëlqehet të kërkojë mbrojtjen e Allahut. Tek ajetet ku përmenden begatitë e Allahut dhe Xheneti, pëlqehet t’i kërkojë ato nga Allahu, ndërsa tek ajetet e ndëshkimit dhe zjarrit, pëlqehet të kërkojë mbrojtjen e Allahut nga zjarri i Xhehenemit.

    Nuk ka pengesë për besimtarin i cili nuk është hafëz që të lexojë nga mus’hafi në namaz.

    1. Pëlqehet, për atë që zgjohet për t’u falur natën, ta zgjojë gruan e vet për namaz dhe, po ashtu, gruaja ta zgjojë burrin e saj për namaz e, nëse jo për namaz nate, burri le ta zgjojë gruan për ta falur vitrin.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Allahu e mëshiroftë burrin që ngrihet natën për t’u falur, pastaj e zgjon gruan e vet dhe ajo falet e, nëse ajo refuzon të ngrihet, e stërpik me ujë në fytyrë. Allahu e mëshiroftë gruan që ngrihet natën për t’u falur, pastaj e zgjon burrin e saj dhe ai falet e, nëse ai refuzon të ngrihet, e stërpik me ujë në fytyrë.”[27]

    Me një hadith tjetër: “Kush ngrihet natën për namaz dhe e zgjon gruan e vet, i falin nga dy rekate, të dy shkruhen nga ata dhe ato që shumë e përmendin Allahun.”[28]

    Aisha i përcjell që Pejgamberi ﷺ falej natën, pasi e falte vitrin, më zgjonte nga gjumi dhe më thoshte: “Zgjohu Aishe dhe fale vitrin.”[29]

    1. Nuk ka pengesë nganjëherë që namazi i natës të falet me xhemat jashtë Ramazanit. Pejgamberi ﷺ e fali një herë bashkë me Ibën Abasin, e një herë me Ibën Mesudin, e një herë tjetër me Hudhejfen, në shtëpinë e vet. Megjithatë namazin e natës me xhemat nuk e veproi vazhdimisht, por herë pas here, si dhe nuk e falte në xhami, prandaj nuk llogaritet që është sunet i vazhdueshëm, por, nëse falet ndonjëherë, nuk është problem.[30]
    2. Kush ndien që i flihet në namaz, le (të dalë nga namazi) të shtrihet që të flejë derisa t’i largohet gjumi.

    Pejgamberi ﷺ tha: “Kur ndonjëri nga ju është duke u falur dhe atij i flihet, le (të dalë nga namazi) të shtrihet që të flejë derisa t’i largohet gjumi, sepse, nëse ndonjëri nga ju falet i përgjumur, në vend se të kërkojë falje për veten e tij, ndodh që të lutet kundër vetes së tij.”[31]

    Me një hadith tjetër: “Kush ngrihet natën për namaz, (dhe për shkak që i flihet) lexon Kuran me paqartësi dhe nuk e di se çfarë lexon, le të shtrihet që të flejë.”[32]

    Me një hadith tjetër: “Kur të jeni aktivë, faluni, kurse, kur të ndieni plogështi dhe lodhje, pushoni.”[33]

    1. Pëlqehet të shpeshtohen lutjet dhe istigfari (kërkimfalja) gjatë tërë natës e, në veçanti, në pjesën e tretë të natës, ndërsa koha më e mirë për istigfar është në agim.

    Allahu thotë: “…dhe që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.” (Ali Imran: 17)

    Dhe thotë: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18)

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Natën është një kohë, nëse myslimani ia qëllon dhe e lut Allahun në këtë kohë për mirësi nga çështja e dynjasë dhe e ahiretit, vetëm se do t’i jepet atij. Kjo kohë është për çdo natë.”[34]

    Me një hadith tjetër: “Zbret Allahu i Madhërishëm për çdo natë në qiellin e dynjasë kur mbetet një e treta e fundit prej saj dhe thotë: “Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush kërkon prej Meje që t’i jap? Kush kërkon falje që ta fal atë?”[35]

    1. Për atë që dëshiron të zgjohet për t’u falur, pëlqehet që kjo vepër e tij të jetë e vazhdueshme dhe pa ndërprerje. Ai duhet t’i mendojë dhe krahasojë mirë rrethanat e tij që ta shohë se sa mund të falet gjatë natës, kështu që namazi i tij të jetë i vazhdueshëm dhe mos ta braktisë më asnjëherë deri në fund të jetës së tij, përveç në raste domosdoshmërie. Bile, kur është me takat më të fortë, të shtojë më shumë, kurse, kur është me angazhime, të pakësojë nga namazi. Nëse i ikën namazi i natës, preferohet që ta kompensojë.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Veproni sa të mundeni, sepse Allahu nuk lodhet (duke ju shpërblyer) derisa ju nuk lodheni dhe mërziteni (të punoni). Vepra më e dashur tek Allahu është ajo që nuk ndalet, edhe nëse është e vogël.”[36]

    Aisha i përcjell që Pejgamberi ﷺ kur e bënte një vepër të mirë, e përforconte atë (nuk e braktiste atë). Nëse nuk zgjohej natën ose sëmurej, namazin e natës e kompensonte gjatë ditës me faljen e dymbëdhjetë rekateve.”[37]

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Atë që e zë gjumi dhe nuk zgjohet për ta lexuar pjesën e caktuar të Kuranit (që e lexon rregullisht), ose një pjesë të tij, pastaj atë e lexon në mes namazit të sabahut dhe namazit të drekës, i shkruhet atij sikurse ta ketë lexuar natën.”[38]

    Pejgamberi ﷺ e porositi Abdullah ibën Amru h dhe i tha: “O Abdullah, mos u bëj si filani i cili ngrihej natën e pastaj e braktisi namazin e natës.”[39]

    1. Nga shkaqet që ndihmojnë të zgjohemi natën për namaz janë: nijeti dhe vendosmëria e prerë, gjumi i hershëm, mosteprimi me ushqim para gjumit, moslodhja e tepërt me punë të rënda të padobishme gjatë ditës, bërja gjumë pas namazit të drekës (kajlule), respektimi i etikës së gjumit, si: marrja e abdesit para gjumit, bërja e lutjeve të gjumit, rikujtimi i vlerës së namazit të natës dhe i atyre që falen natën për pozitën që e fitojnë tek Allahu, rikujtimi i armiqësisë së shejtanit kundrejt njeriut dhe përpjekja e tij që ta pengojë njeriun të zgjohet për namaz nate, leximi i historisë së lavdishme të të parëve tanë të ndershëm dhe njerëzve të mirë që e kishin në raport me namazin e natës.
    2. Namazi i teravive, në fakt, është namazi i natës në Ramazan. Është quajtur me këtë emër ‘teravi’ (fjalë arabe që d.m.th. pushim, rehati), sepse kur u grumbulluan herën e parë për ta falur në kohën e Omerit h pushonin disa çaste pas çdo dy rekateve, ose pas katër rekateve, për shkak se e zgjatnin namazin dhe lexonin gjatë Kuran në namaz.
    3. Namazi i teravive është sunet, e veproi Pejgamberi ﷺ e vepruan sahabët, dhe pas tyre këtë traditë e vazhdoi umeti brez pas brezi.
    4. Shpërblimi për faljen e namazit të teravive është i madh dhe është shkak për faljen e gjynaheve. Vlera e tij vërtetohet edhe më shumë në dhjetëshin e fundit ku preferohet të falet që të kërkohet Nata e Kadrit.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Kush i fal teravitë me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[40]

    Me një hadith tjetër: “Kush ngrihet natën e Kadrit me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[41]

    “Me besim” d.m.th. me bindje të plotë që kjo është e vërtetë dhe adhurim dhe se Allahu është Ai që e bëri të ligjshëm agjërimin dhe namazin e natës dhe nxiti për në ta.

    “Llogarit në shpërblimin e Allahut” d.m.th. e kërkon shpërblimin nga Allahu, prandaj me vullnet agjëron dhe falet natën dhe e shpreson shpërblimin e Allahut, me shpirtmirësi dhe kënaqësi në shpirt, nuk e llogarit të rëndë dhe të mundimshëm agjërimin dhe namazin e tij dhe ato i kryen me sinqeritet vetëm për Allahun.

    1. Ata që shkojnë në umre gjatë Ramazanit, është mirë të përkujdesen që mos t’u ikën namazi i natës dhe namazi i teravive në Qabe dhe në xhaminë e Pejgamberit ﷺ në Medine. Falja e namazit në këto dy xhami është e shumëfishuar.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Falja e namazit në xhaminë time është më e vlefshme se një mijë namaze në xhamitë e tjera, përveç namazit në Qabe. Falja e namazit në Qabe është më e vlefshme se njëqind mijë namaze në xhamitë e tjera.”[42]

    1. Dijetari Ibën Rexheb, Allahu e mëshiroftë, tha: “Në muajin Ramazan besimtari ballafaqohet me dy lloje të xhihadit (përpjekjes): xhihadit gjatë ditës me agjërim dhe xhihadit gjatë natës me namaz nate.

    Ai që i bashkon këto dy lloje të xhihadit (përpjekjes), ua jep hakun dhe bën durim në to, e merr shpërblimin e tij pa masë.”[43]

    1. Teravitë lejohet të falen në shtëpi, sepse janë sunet. Po ashtu, lejohet të falen në xhami dhe falja e tyre me xhemat është më e vlefshme. Në këtë mënyrë myslimani e ndjek rrugën e Pejgamberit ﷺ dhe të sahabëve.
    2. Namazi i gruas në shtëpi është më i vlefshëm se namazi i saj në xhami, qoftë sunet apo farz, teravi apo ndonjë namaz tjetër. Mirëpo, nuk ka pengesë që ajo të shkojë në xhami me lejen e burrit të saj, me kusht që të mos dalë e zbukuruar dhe e parfumosur, të ketë siguri dhe të jetë e mbrojtur nga fitnetë.
    3. Grave u lejohet që të tubohen në një shtëpi për t’i falur teravitë. Njëra nga to del imam dhe u paraprin në namaz, ajo qëndron në mes të safit dhe nuk del përpara sikurse del imami te burrat. E ngre zërin në namaz sikurse e ngrenë zërin burrat në namazet me zë, por, me kusht që zëri i saj të mos dëgjohet nga burrat, përveç nëse janë mahremat e saj.
    4. Falja e njëmbëdhjetë rekateve në namazin e teravive është më e mirë. Kështu vepronte Pejgamberi ﷺ, por nuk ka pengesë që numri i tyre të shtohet. Çështja është e gjerë dhe ka hapësirë të veprohet.
    5. Ajo që e veprojnë disa imamë në namazin e teravive, duke u falur shumë shpejt, është e kundërta e asaj që e kërkon sheriati.

    Nëse namazit i mungon qetësia dhe rehatia, rukuja dhe sexhdja kanë mangësi, atëherë namazi nuk pranohet.

    1. Ai që teravitë i fal në xhami, për të më e vlefshme është që t’i përfundojë bashkë me imamin dhe t’i shkruhet si të jetë falur tërë natën.

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Kush i fal teravitë me imam derisa t’i përfundojë, i shkruhet atij si të jetë falur tërë natën.”[44]

    Nëse imamët ndërrohen në një xhami, njëri i fal disa rekate pastaj tjetri i vazhdon të tjerat, llogaritet si t’i kishte falur një imam.

    1. Pëlqehet që në fillim të çdo dy rekateve të teravive të lexohet duaja e hapjes së namazit[45], sepse çdo dy rekate janë namaz në vete dhe nuk lidhen me rekatet që falen para tyre. Lutja është e njëjtë, nuk dallon si në farz ashtu edhe në sunet.
    2. Nuk ka pengesë që imami të lexojë nga mus’hafi në namazin e teravive kurse, nëse dikush nga xhemati e përcjell imamin me mus’hafin në dorë, pa nevojë, më e mirë është të mos e bëjë këtë, sepse kjo i bëhet pengesë që të arrijë përuljen dhe t’i veprojë disa sunete të namazit.
    3. Nuk ka pengesë që të ketë më shumë se një imam dhe ata të ndërrohen, qoftë në Harem (Qabe) apo në xhamitë e tjera. Namazfalësi duhet t’u lidhet imamëve në namaz deri në fund, edhe pse ata ndërrohen në mes vete. Kur imamët janë më shumë në numër dhe ndërrohen për teravi, llogariten si të ishin një imam.[46]
    4. Kush dëshiron që vitrin ta falë në pjesën e fundit të natës, kur t’i falë teravitë me imamin, e bën nijetin që kur imami ta falë vitrin dhe të japë selam, të ngrihet vetë dhe ta falë edhe një rekat që numri i rekateve të jetë çift. Do të thotë që nuk e fal vitrin me imamin, por e fal atë vetë në pjesën e fundit të natës (edhe pse më e mira është që ta përfundojë namazin me imamin deri në fund).
    5. Ai që i fal teravitë dhe vitrin me imam, pastaj natën dëshiron që t’i falë edhe disa rekate shtesë, nuk është problem, mund të falet sa të dojë, nga dy rekate dhe vitrin nuk e përsërit.
    6. Kujt i ikën namazi i jacisë me xhemat, ndërkohë imami ka nisur t’i falë teravitë, i lejohet që t’i lidhet imamit me nijetin e jacisë. Kur imami jep selam pas dy rekateve, ai ngrihet i plotëson edhe dy rekate të tjera.
    7. Kujt i ikën namazi i teravive me xhemat, i lejohet t’i falë individualisht apo me xhemat tjetër.
    8. Falja e teravive në Qabe me imam është më e vlefshme sesa të bëhet tavaf vullnetar rreth Qabes në kohën e teravive; namazi i teravive e ka kohën e përkufizuar, me përfundimin e kohës përfundon edhe e falja e tyre, kurse tavafi mund të bëhet në çdo kohë.
    9. Kush është duke e bërë tavafin rreth Qabesë dhe në atë kohë fillojnë teravitë, le ta përfundojë tavafin, sepse teravitë janë sunet; në krahasim me namazin farz, ku domosdo duhet të ndërpritet tavafi dhe të falet namazi e, pas faljes së namazit, vazhdohet me tavafin aty ku është ndërprerë.
    10. Pëlqehet bërja e duasë së kunutit në namazin e vitrit. Imami dhe xhemati ligjërohet t’i ngrenë duart në lutjen e kunutit dhe t’i luten Allahut.
    11. Nuk ka ndalesë që të bëhet dua në teravi me rastin e përfundimit të hatmes së Kuranit. Në këtë rast imami e bën duanë në vitër, ndërsa xhemati e përcjell atë duke thënë amin (o Zot, pranoje lutjen). Shumë nga të parët tanë të mirë përcillet që e kanë vepruar këtë.
    12. Falja e teravive fillon natën e parë të Ramazanit, me pamjen e hënës së re, pra nata që i paraprin ditës së parë të Ramazanit.
    13. Natën e Bajramit nuk falet namazi i teravive, sepse teravitë ligjërohen në Ramazan e, kur të vërtetohet që muaji ka përfunduar, teravitë nuk falen. Ndërsa, ai që e ka pasur traditë të falë namaz nate jashtë Ramazanit, mund të falë namaz nate individualisht në shtëpinë e vet.
    14. Nuk lejohet që nata e Bajramit kundrejt netëve të tjera të veçohet me namaz nate, përveç atij që e ka pasur traditë të falë namaz nate jashtë Ramazanit, ai mund të ngrihet natën e Bajramit për t’u falur.

    Kurse hadithet që kanë ardhur për ngjalljen e natës së Bajramit me ibadet, nuk janë të vërteta dhe nuk mund të merren si argument.

    E lusim Allahun që të na e pranojë agjërimin, teravitë, leximin e Kuranit dhe të na ndihmojë në ibadetin ndaj Tij dhe të na bëjë nga fitimtarët e Ramazanit! Amin!

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Pjesë e librit : “Udhërrëfyes për muajin e Ramazanit”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

    [1] Kijamul lejl dhe Et-Tehexhud janë fjalë arabe që për qëllim e kanë namazin e natës. (sh. p)

    [2] Shih: Lisanul Arab, Ibën Mendhur (3/432), El-Mexhmua, imam Neveviu (4/43).

    [3] Muslimi (1163).

    [4] Tirmidhiu (2527), shejh Albani hadithin e vlerësoi të mirë.

    [5] Tirmidhiu (2485), Ibën Maxhe (1234), shejh Albani e saktësoi në Es-Sahiha (569).

    [6] Sahih El-Buharij (1121), Muslimi (2479).

    [7] Sherh Sahih El-Buharij, Ibën Batali (3/111), Et-Teudih li sherh El-Xhami’ Es-Sahih, Ibën El-Mulekkin (9/27), Fet’hul Barij, Ibën Haxheri (3/6).

    [8] Hakimi (1/451), në zinxhirin e tij ka dobësi, shejh Albani e vlerësoi të mirë në El-Irva (452).

    [9] Ibën Hibani (2557), Ebu Davud (2536) Xhumletul Gazij, shejh Albani e vlerësoi të mirë në Talikat El-Hisan.

    [10] Mustedrek El-Hakim (2/448), Ed-Dur El-Menthur, Sujutij (11/696).

    [11] Hadij El-Ervah ila biladil Efrah (fq. 278).

    [12] Hakimi (1/451), në zinxhirin e tij ka dobësi, shejh Albani e vlerësoi të mirë në Sahih El-Xhami’ (73).

    [13] Ebu Davudi (1398), shejh Albani e saktësoi.

    [14] Muslimi (102).

    [15] Buhariu (7529), Muslimi (815).

    [16] Shih: Sherh En-Nevevij ala sahih Muslim (6/97).

    [17]  Buhariu (4836), Muslimi (2819).

    [18] Buhariu (1155).

    [19] Tirmidhiu (3579), Nesaiu (572), hadithi është në Sahih El-Xhami’ (1173).

    [20] Buhariu (1131), Muslimi (1159).

    [21] Buhariu (1145), Muslimi (758).

    [22] Buhariu (990), Muslimi (749).

    [23] Buhariu (1147), Muslimi (738).

    [24] Nesaiu (1784), shejh Albani e saktësoi.

    [25] Muslimi (756).

    [26] Shih: Mexhmual Fetava (23/69, 71).

    [27] Ebu Davudi (1308), Nesaiu (1601), Ibën Maxhe (1336), shejh Albani e saktësoi.

    [28] Ebu Davudi (1451), Ibën Maxhe (1335), shejh Albani e saktësoi.

    [29] Buhariu (512), Muslimi (744).

    [30] Esh-Sherh El-Mumti’, Ibën Uthejmin (4/60).

    [31] Buhariu (212), Muslimi (786).

    [32] Muslimi (787).

    [33] Buhariu (1150), Muslimi (784).

    [34] Muslimi (757).

    [35] Buhariu (1145), Muslimi (758).

    [36] Buhariu (5862), Muslimi (782).

    [37] Muslimi (746).

    [38] Muslimi (747).

    [39] Buhariu (1152), Muslimi (1159).

    [40] Buhariu (37), Muslimi (760).

    [41] Buhariu (2014), Muslimi (760).

    [42] Imam Ahmedi (14847), shejh Albani e saktësoi në El-Irva (971).

    [43] Letaif El-Mearif (fq. 171).

    [44] Ebu Davudi (1375), Tirmidhiu (806), Nesaiu (1364), Ibën Maxhe (1327), shejh Albani e saktësoi.

    [45] D.m.th. teravitë nëse i fal nga dy rekate, në fillim të çdo dy rekateve pëlqehet ta fillosh me ‘Subhaneke Allahume…’, pra, lutja e njohur që e bëjmë në fillim të namazit. (sh.p.)

    [46] Fetava Ibën Uthejmin (14/190).

Kushtrim Guraj

Ceo

Përshendetje !