Category: Familja & jeta bashkëshortore

  • LIDHJA FAREFISNORE

    LIDHJA FAREFISNORE

    Farefisnia është njëra prej nënshtrimeve më me vlerë dhe më me pozitë, më e bekuar dhe më së shumti që bën dobi në këtë botë dhe në ahiret.

    Farefis i një njeriu konsiderohen të afërmit e tij prej gjaku, si baba, nëna, vëllai, motra, djali, vajza, dhe çdo person që ka lidhje gjaku me to. Familja e gruas për burrin e saj s’janë farefis, e as familja e burrit për gruan e tij s’janë farefis, për shkak se mes tyre s’ka lidhje gjaku, por mes tyre eksiton lidhje krushqie. Thotë Allahu, azze ue xhel: Edhe ata që u bënë besimtarë më vonë, që mërguan dhe luftuan bashkë me ju, janë vëllezërit tuaj; ndose, sipas Librit të Allahut, besimtarët që kanë lidhje farefisnore, janë më të afërt për njëri-tjetrin (në ndarjen e trashëgimisë). Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë(El-Enfal: 75)

    Allahu, azze ue xhel na porositi respektimin e fare­fisnisë, dhe e bëri këtë porosi shumë të afërt me porosinë e devotshmërisë, thotë Allahu, azze ue xhel: “Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju”.(En-Nisa: 1)

     

    Ibën Abasi thotë se komenti i këtij ajeti është: “Frikësojuni Allahut me respektimin e urdhrave të Tij dhe largimin prej mëkateve që i ka ndaluar Ai, mos i shkëputni lidhjet farefisnore, por respektoni, vizitoni dhe silluni mirë me ato.”

    Allahu, azze ue xhelnë ajetin: “Jepja të drejtën e tij të afërmit, edhe të varfrit, edhe udhëtarit! Kjo është më e mirë për ata që e duan kënaqësinë e Allahut. Pikërisht ata do të jenë të fituarit”(Er-Rum: 38),na bën të qartë se njeriu ndaj farefisnisë ka obligime që detyrohet t’i kryejë, qofshin materiale apo morale.

    Respektimi i lidhjes farefisnore ishte prej gjërave të para që thirri Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, kur iu shpall pejgamberia. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi në librat e tyretregimin e Ebu Sufjanit me Herakliun (Mbretin e romakëve në atë kohë), se i patë thënë Herakliu Ebu Sufjanit: “Në çka ju urdhëron Muhamedi?” Përgjigjja e Ebu Sufjanit ishte: “Ai na urdhëron që ta adhurojmë vetëm Allahun dhe mos t’i bëjmë shok Atij, t’i lëmë besimet e mëhershme dhe atë çka e thonë baballarët tonë, na urdhëron në faljen e namazit, dhe na urdhëron në sinqeritet, virtytshmëri, dhe respektimin e farefisnisë.” (Buhari 7, Muslimi 1773).

    Respektimi i lidhjes farefisnore është një prej shkaqeve që ta lehtëson furnizimin dhe ta zgjat jetën në dunja, kurse në ahiret është shkak që të fut në Xhenet dhe të mbron prej zjarrit të Xhehenemit. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre, prej hadithit të Ebu Ejub el Ensariut, radijallahu anhu, se Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, gjatë udhëtimit iu paraqit një banor i shkretëtirës dhe e pyeti. “O i Dërguar i Allahut, më trego se cilat vepra më afrojnë Xhenetin e Allahut, dhe cilat vepra më largojnë prej Xhehenemit të Allahut?” – Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u ndal, i shikoi shokët e tij, e pastaj tha: “Vetëm se u mbarësua, apo vetëm se u udhëzua.” – Pastaj tha: “Si the!” – Banori i shkretëtirës e përsëriti edhe një herë pyetjen e tij. – Pastaj Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Ta adhurosh Allahun dhe mos t’i bësh shok Atij, ta falësh namazin dhe ta japësh zeqatin, ta respektosh farefisin.” (Buhari 1397, Muslimi 13)

    Me një transmetim tjetër: “Si ta praktikojë atë çka u urdhërua, do të hyjë në Xhenet.” (Muslimi 13)

    Në një hadith tjetër Enes ibën Malik, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai njeri që dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë marrëdhëniet farefisnore.” (Buhariu 2067, Muslimi 2557)

    Mosrespektimi i farefisit dhe shkëputja prej tyre janë prej mëkateve të mëdha, që Allahu e paralajmëroi dhe i premtoi vepruesit të tyre se do ta ndëshkon me dënime të ndryshme në këtë botë dhe ahiret. Thotë Allahu, azze ue xhel: “Sa për ata që shkelin besëlidhjen me Allahun, pasi janë zotuar për atë, e që këpusin lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të ruhen dhe bëjnë çrregullime në Tokë – mbi ta rëndon mallkimi dhe përfundimi i keq!”(Er-Ra’d: 25)

    Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre na përcjellin hadithin e Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pasi që Allahu i krijoi të gjitha krijesat, lidhja farefisnore tha: “Kjo është pozita që kërkon strehim prej teje nga këputja e lidhjes farefisnore.” Allahu, azze ue xhel tha:” Po, a nuk dëshiron që të mbaj lidhje me atë që mban lidhje me ty dhe t’i ndërpres më atë që i ndërpret me ty?” Ajo tha: “Po, si jo o Zoti im.” Tha Allahu, azze ue xhel: “Ajo është për ty.” Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Lexoni nëse dëshironi:“A pritet prej jush (hipokritëve) që në nëse merrni sundimin (ose zmbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet e akraballëkut?” (Muhamed: 22) (Buhariu 5987, Muslimi 2554)

    Transmeton imam Tirmidhiu në Sunenin e tij prej hadithit të Ebi Bekrës, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: S’ka mëkat që më së shumti e meriton përshpejtimin e dënimit të Allahut, duke mos e anashkaluar atë në ahiret, si mëkati i së bërjes padrejtësi dhe i shkëputjes së lidhjes farefisnore.” (Tir­midhiu 2511)

    Ai që i ndërpret lidhjet familjare, kanoset me mos hyrjen e tij në Xhenet. Transmeton Xhubejr ibën Mutim, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai i cili këput lidhjet farefisnore.” (Buhariu 5984, Muslimi 2556)

    Respektues i lidhjes farefisnore konsiderohet ai person i cili e respekton dhe e viziton farefisin edhe ata kur shkëputën prej tij dhe s’e respektojnë. Përcillet prej Abdullah ibën Amru ibën el As, radijallahu anhu, se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk mban lidhjet farefisnore ai që kthen (vizitat), por është ai që kur i ndërpritet farefisnia i rivendos lidhjet me ta.” (Buhariu 5991)

    Transmeton imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në Sahihin e tij prej Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se një njeri erdhi te Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i tha atij: “O i Dërguar i Allahut! Unë kam disa të afërm me të cilët mbaj lidhje farefisnore, kurse ata nuk mbajnë me mua, u bëj mirë, kurse atë më bëjnë keq dhe sillem butë me ta, kurse ata sillen me arrogancë ndaj meje. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Nëse vërtet është ashtu s’i thua ti, atëherë është njësoj sikur t’i ushqesh ata me hi të nxehtë dhe vazhdimisht do të jetë me ty një ndihmës i Allahut kundër tyre, përderisa je në këtë gjendje.” (Muslimi 2558)

    Komentuesit e këtij hadithi thonë: “Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tregon dënimin e tyre se sa është i dhimbshëm, dhe i përngjason me vuajtjet e ngrënësit të hirit të nxehtë. Kjo e tëra vjen si rezultat i shkëputjes së lidhjes familjare dhe arroganca e tyre ndaj atij që i viziton.”

    Respektimi i lidhjes farefisnore arrihet me veprimin e mirësisë ndaj tyre, edhe atë me çka mundet njeriu. Thotë Ebi Xhemreh, Allahu e mëshiroftë: “Farefisnia respektohet me pasuri, me ndihmë kur kanë nevojë, me buzëqeshje, me lutje për to, etj.”

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Obli­go­het respektimi i lidhjes farefisnore me dashuri, me këshilla mes veti, me drejtësi, me dhënien e të drejtave obliguese dhe atyre të pëlqyera, pastaj me shpenzim për të afërmin, dhe me mos përgojimin e të metave të tyre, etj.

    Kuptimi i përgjithshëm i lidhjes farefisnore është respektimi i tyre sa mundet në të mirë, dhe largimin e sherrit prej tyre sa ka mundësi. Pra, çdo send varet prej mundësisë dhe prej fuqisë së njeriut, pastaj prej gjendjes dhe prej pozitës së tij, dhe prej marrëdhënieve familjare dhe prej asaj se sa i lehtësohet atij kjo gjë. Thotë Allahu, azze ue xhel: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka”. (El-Bekare: 286)”.

    Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Pëlqehet t’i jepet përparësi nënës në dëgjueshmëri dhe mirësi, e pastaj babës, pastaj fëmijëve, pastaj gjyshërve dhe gjysheve, pastaj vëllezërve dhe motrave, pastaj të gjithë mahremeve prej familjes, si xhaxhallarëve, dajallarëve, hallave, tezeve, etj. Pra, i jepet përparësi më të afërmit, e pastaj tjetrit më të afër dhe kështu me radhë.”

    Hakimi në Mustredekun e tij na transmeton hadi­thin e Ebi Remtheh, radijallahu anhu, i cili thotë se e ka dëgjuar Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, duke thënë: “Nëna jote, pastaj babai yt, pastaj motra dhe vëllai, pastaj të tjerët me radhë me nivel më të ulët.”

    Dhënia e lëmoshës në farefis, e dyfishon shpër­blimin e dhënësit të saj. Transmeton Tirmidhiu prej Sulejman ibën Amir, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Lëmosha për fukaranë është vetëm lëmoshë, ndërsa për farefisin lëmoshë dhe lidhje farefisnore.” (Tirmidhiu 658)

    Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Mejmune bint el Harith, radijallahu anha, e cila e liroi një robëreshë, duke mos marrë leje prej Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe më vonë i tha Pejga­mberit, sal-lallahu alejhi ue selem,: “O i Dërguar i Allahut, a vërejte se e lirova robëreshën time? Tha: “A e bëre?” – Ajo tha: “Po.” – Atëherë i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, i tha: “Po t’ia kishe dhuruar tezeve tua, do të kishe më shumë shpërblime”. (Buhari 2592, Muslimi 999)

    Dr. Emin ibën Abdullah esh Shekaui

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • DIALOGU MES DY BASHKËSHORTËVE

    DIALOGU MES DY BASHKËSHORTËVE

    Burri i tha gruas në shaka: A ka burrë më të bukur se sa unë?!

    Ajo .. heshti, e pastaj tha: Nuk e di!

    Burri tha: Atëherë a ka më të mirë se sa unë?!

    Ajo tha: Po ashtu, nuk e di!

    Burri i tha: Apo burrë më të butë dhe më të ndje­shëm se sa unë?!

    Ajo tha: Nuk e di!

    Burri i tha: E si nuk e di?!!

    U përgjigj: Po, nuk e di!

    Burri si u mërzit, e ajo, u kthye dhe i tha: Si të shikoj tjetrin nga burrat kur ti je me mua! Si t’ia drejtoj sytë tjetrit kur ti je kënaqësia ime, dhe si të mos jem e kënaqur që të kam burrë, kur Allahu nga caktimi i Tij e bëri të jesh burri im në dynja dhe me lejen e Allahut edhe në Xhenet!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • KJO GRUA ËSHTË E MENÇUR

    KJO GRUA ËSHTË E MENÇUR

    Ndodhi një mosmarrëveshje mes dy bashkëshor­tëve dhe gruaja u ul duke qarë. Në këto çaste, trokiti në derë familja e saj, kishin ardhur në vizitë të saj. Ia panë sytë e lotuar dhe e pyetën se çfarë ndodhi me të?!

    U përgjigj: Paramendoni! U ula t’ju rikujtoj, e fillova të qaj dhe mu shtua dëshira që t’ju shoh! Lartësimi i takon Allahut që më bashkoi me juve në këto momen­te!

    Burri e dëgjonte gruan e vet se si e arsyeton të qarit e saj para familjes, e u rrit në sytë e tij dhe u gëzua që i ruajti sekretet bashkëshortore!

    Pasi shkoi familja e saj, i kërkoi falje dhe u pendua.

    Kjo grua është e mençur!

    Kjo është dashuri dhe mirëkuptim për ata që dëshirojnë jetë të lumtur!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • DASHURIA E SINQERTË NUK ËSHTË FJALË, POR VEPRA

    DASHURIA E SINQERTË NUK ËSHTË FJALË, POR VEPRA

    Një burrë dhe gruaja e vet, tepër të varfër, jetonin me një shtëpi të mjerë! Një natë prej netëve gruaja kërkon nga burri t’i blen krehëse flokësh që t’i kreh flokët e saj të gjata. Burri e shikoi, mirëpo në sytë e tij u vërejt pikëllim, dhe asaj i tha: Nuk mund ta blej! Edhe ora ime e dorës ka nevojë për një rrip dhe nuk mundem ta blej.

    Gruaja nuk polemizoi fare me të burrin dhe i buzë­qeshi në fytyrë!

    Të nesërmen, burri pasi që e kreu punën, shkoi në shitore dhe e shiti orën e tij me një çmim të lirë dhe ia bleu gruas krehrin që e kërkoi nga ai.

    Kur u kthye në mbrëmje në shtëpi, me krehrin në dorë, e pa se gruaja i kishte pas shkurtuar tepër flokët e saj, dhe në dorën e saj e mbante një rrip për orë dore!

    E shikuan njëri-tjetrin dhe sytë e tyre filluan t’u lotojnë, jo se ajo që e vepruan u shkoi për koti, po për shkak se ata dy e donin njëri-tjetrin me të njëjtën masë dhe të dy deshën që për njëri-tjetrin ta realizojnë të njëjtën gjë!

    Rikujto gjithmonë se, kur e do dikë apo je i dashur nga dikush, duhesh të mundohesh ta bësh të lumtur në të gjitha mënyrat, qoftë ajo edhe më dhuratë të lirë apo një fjalë të bukur.

    Dashuria e sinqertë nuk është fjalë po vepra!!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • NËNA JOTE TË MOS PREZANTOJË NË DASËM NËSE DO QË TË MARTOHEM ME TY!

    NËNA JOTE TË MOS PREZANTOJË NË DASËM NËSE DO QË TË MARTOHEM ME TY!

    Një i ri, me profesion mjek, shkon në shtëpinë e familjes së shokut ta kërkon dorën e vajzës së tyre, por vajzës pasi që ju sqarua gjendja e tij në tërësi, e kushtëzoi më një kusht të rëndë për t’u martuar me të, që nëna e tij të mos prezantojë në dasmën e tyre!

    Djali u hutua nga ky kusht dhe s’dinte çfarë të bën. Mendoi një periudhë dhe e vendosi të këshillohet me një nga profesorët e tij universitar.

    Shkoi në zyrë të tij dhe kur e takoi ia paraqiti rastin dhe profesori i habitur i tha: E pse ky kusht?!

    U turpërua dhe i tha: Prindi më ka ndërruar jetë kur isha vetëm se njëvjeçar, e nëna ime, për të mbijetuar dhe për të më shkolluar ka punuar si punëtore e thjeshtë, i lante rrobat e njerëzve. Kjo e kaluar e saj më shkakton shumë probleme dhe unë tani dua të filloj një jetë të re!

    Profesori i tha: E kam për ty një kërkesë të vogël… e ajo është që ti të shkosh në shtëpi dhe t’ia lash duart nënës tënde, e pastaj të nesërmen kthehu dhe takohemi dhe ta jap mendimin tim!

    Me të vërtetë, kur shkoi në shtëpi kërkoi nga e ëma t’i lajë duart e saj. Sa filloi t’ia lajë duart, nga pamja e tyre, i rrjedhën lotët! Ishte hera e parë që i vërejti se sa ishin rrudhë, dhe se në to ishin disa varrë dhe ma­vijosje dhe kur lageshin me ujë, nëna ndjente dhembje dhe kishte ethe!

    Pasi që i lau duart e nënës, s’kishte durim ta prese të nesërmen dhe takimin me profesorin, po e mori telefonin dhe i telefonoi prindit të vajzës dhe i tha: Të falënderoj për çdo gjë, unë pasi që mendova mirë vendosa për çështjen time, e vendimi im është se, unë nuk do ta flijoj nënën time për hir të tashmes sime, sepse ajo e flijoi jetën e saj për hir të ardhmes sime!!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • DASHURIA IME PËR TY DO  TË MBETET PËRGJITHMONË

    DASHURIA IME PËR TY DO TË MBETET PËRGJITHMONË

    Ishte një burrë i martuar me gruan e vet për dyzet vite me radhë, dhe për çdo vjet, në ditën e martesës së tyre, burri ia dhuronte gruas një trëndafil dhe kartelë, ku në të shkruante se, “dashuria ime për ty shtohet për çdo ditë”.

    Pas një kohe burri sëmuret dhe nga sëmundja ndërron jetë.

    Ishte shumë e rëndë për gruan kur erdhi dita e martesës së tyre, ngase ishte hera e parë pas sa viteve, ta pret atë ditë pa burrin e saj dhe pa trëndafilin dhe kartelën e tij!

    Në atë ditë, herët në mëngjes, trokiti dera! Gruaja e hapi derën dhe para saj qëndronte postieri me trëndafil në dorë!

    U befasua tepër, dhe menjëherë shkoi në shitoren e trëndafilave, dhe shitësit i tha: Unë nuk kam porositur të më dërgohen trëndafila!

    Shitësi ia kthehu: Burri yt, para se të ndërrojë jetë erdhi tek unë, e më pagoi çmimin e trëndafilit, më porositi ta dërgoj në këtë ditë, së bashku më këtë kartelë!

    Gruaja e mori kartelën, e hapi, dhe në të shkruante: “Dashuria ime për ty do të mbetet përgjithmonë”.

    Sa besnikëri e bukur dhe e vërtetë!!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • KY ËSHTË DALLIMI MES HALLALLIT  DHE HARAMIT

    KY ËSHTË DALLIMI MES HALLALLIT DHE HARAMIT

    Nëna ime një ditë kur isha i vogël më tha: A mundesh ta shqiptosh fjalën “hallall”, dhe buzët e tua të mos mbyllen gjatë shqiptimit, po të vazhdojnë të mbeten të hapura?!

    E bëra dhe ia arrita ta shqiptoj pa mos i bashkuar buzët fare!

    Pastaj më tha: A mundesh ta shqiptosh fjalën “haram” dhe të mbeten buzët e tua të hapura??

    E provova disa herë po nuk munda! I thash i mërzitur: Nuk po mundem, dhe sado që po përpiqem, në fund buzët po mbyllen!

    Nëna qeshi dhe më tha: Biri im, ky është dallimi mes hallallit dhe haramit!

    Biri im, harami është mbyllje dhe vuajtje, kurse hallalli është hapje dhe lumturi. Zgjidh cilën të duash; ose do të hapen dyert e dynjasë dhe ahiretit, ose do të mbyllen të dyja botët në fytyrë!

    Nga ajo ditë, kur e bëja një haram, nëna i mbyllte buzët dhe fytyra ju vrenjte, kurse kur e veproja një hallall, i hapte buzët me buzëqeshje!

    Më tha: Biri im, nëse do që ta shohësh buzëqeshjen e nënës tënde, gjithmonë vepro me hallall!

    U rrita dhe gjithmonë përpiqesha që asnjëherë mos ta humbi buzëqeshjen e saj!

    Ide e mirë edukatore për ta edukuar fëmijën se si të shkojë pas hallallit dhe ta urrejë haramin.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • NËNË KËTË VAJZË E DUA PËR GRUA!

    NËNË KËTË VAJZË E DUA PËR GRUA!

    Djali kërkonte nuse të martohet, i thotë nënës së vet të shkojë te filan shtëpia, sepse atje ishte një vajzë që e do për grua!

    Nëna ia kthen: Biri im, ajo vajzë nuk është për ty, ti je një djalë që jeta të shkoi në studime, kurse ajo nuk posedon diplomë. Ti je nga familje e njohur dhe pasa­nike, kurse ajo nga një familje e shtresës së ulët. Krahas gjitha këtyre, bija e filanit është më e bukur, ajo është për ty!!

    Djaloshi heshti derisa e përfundoi nëna e vet dhe i tha: Nëna ime, ajo për të cilën ti thua se nuk është për mua, unë e shoh se ajo është gruaja e vetme, e cila ka mundësi të më bën të lumtur. Ajo që thua se nuk posedon diplomë fakulteti, atë e mësoi jeta diçka që nuk e mëson nëpër librat e shkollës. Ajo që thua për të se familja e saj janë të varfër, ajo nuk ka nevojë për shërbëtorë, si ne, por ajo punon vet! Ajo nuk kërkon tepër, ngase e di se çfarë është skamja, dhe është respektuese e prindërve të vet dhe i do ata shumë, edhe pse ata nuk patën mundësi t’ia plotësojnë ëndrrat e jetës!

    Unë atë e kam parë, ajo ecën rrugës e turp­shme, nuk e ngrit shikimin e saj në haram dhe posedon moral dhe sjellje. Kurse për bukuri, unë atë ë e zgjodha që ka shpirt, shpirti i saj është Xhenet dhe kjo më mjafton!

    Mua më pëlqeu, i thash vetes se do ta martoj, ia përcolla një lajm se do ta kërkoj dorën e saj, nuk dua që premtimin tim ta thyej dhe nuk dua që atë ta nënçmoj. Unë kam motër, nesër do të kem edhe vajzë dhe ka mundësi që ndokush të luan me to, nëse unë sot luaj me të!

    Nëna i buzëqeshi dhe i tha: Sa krenare që jam me ty biri im!!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • DASHURIA MES NUSES DHE VJEHRRËS!!

    DASHURIA MES NUSES DHE VJEHRRËS!!

    Vajza martohet dhe pas martesës së saj shkon të jeton me burrin e saj dhe nënën e tij. Pas një periudhe të shkurtër fillojnë zënkat dhe mosmarrëveshjet mes nuses dhe vjehrrës. Nusja e akuzonte vjehrrën se tepër e kritikon dhe e nervozon, derisa nuk kishte më ditë paqeje mes tyre!

    Burri kishte pas ra në hall të madh. Për çdo ditë zënka dhe probleme në shtëpi, derisa filloi të mërzitet tepër se s’dinte si ta zgjidh problemin mes tyre.

    Nusja, pasi që i humbi durimi, vendosi të shkojë deri në barnatore dhe të blejë ilaç që në vete përmban diçka vdekjeprurëse. Farmacisti ishte miku i familjes së saj, kështu që, ia sqaroi gjendjen atij hollësisht dhe çfarë do nga ai. Nga ai kërkoi disa ilaçe që do t’ia zhdu­kin para syve vjehrrën e saj. Farmacisti pasi që e dëgjoi me vëmendje hyri në magazinën e ilaçeve, dhe pas disa minutave, i solli një shishe të vogël me ilaç brenda, dhe i tha: Nuk është prej urtësisë ta përdorësh helmin shpejt, sepse ashtu do të futsh shumë dyshime, kështu që do ta jap këtë ilaç që ndikon gradualisht dhe duhet ta përdorësh për çdo ditë!

    Duhesh që për çdo dy ditë t’i përgatitësh ushqim me mish, qoftë ai pule apo lope, dhe t’i hedhësh nga disa pika helm në ushqim. Kurse ti, brenda kësaj periudhe sillu me të me butësi dhe me dashuri, mos u fut në problem me të fare, çfarëdo të jenë situatat!

    Nusja u gëzua tepër me këtë zgjidhje dhe shpejtoi për në shtëpi që sa më shpejt të fillojë ta zbatojë urdhrin e farmacistit.

    Kaluan ditë e muaj, dhe ajo, ishte e përpiktë në sjelljen e saj dhe në zbatimin e ilaçit, dhe gjithnjë i rikuj­tonte këshillat e mjekut, të jetë e butë dhe e sjell­shme me vjehrrën e saj dhe ta respektojë atë si nënën e saj.

    Pasi që kaluan gjashtë muaj u ndryshua atmosfera në familje tërësisht. Ajo sillej mirë me të, derisa filloi ta ndryshojë mendimin për të, dhe filloi të përhapet në shtëpi atmosferë dashurie dhe shoqërie mes tyre, dhe filluan që njëra-tjetrën ta ndryshojnë për në të mirë, dhe vjehrra iu bë nuses si nënë e saj, kurse nusja për vjehrrën si bija e saj.

    Burri fluturonte nga gëzimi dhe e vëzhgonte gjen­djen në familje vazhdimisht.

    Gruaja pas kësaj periudhe shkoi te farmacisti, mirë­po këtë herë, jo për të kërkuar nga ai helm, po këtë herë t’i thotë, më ndihmo ta ndërpres helmin që mos ta mbysë vjehrrën time, sepse ajo është shumë e mirë me mua dhe tash atë e dua si nënën time. Të lutem nuk dua që ajo të vdes!

    Farmacisti u buzëqesh, e tundi kokën dhe i tha: Bija ime, unë asnjëherë nuk të kam dhënë helm. Ajo shishe në vete nuk përmbante helm, po ujë të thjeshtë!! Helmi i cili ishte shumë afër të shkatërron qëndronte në mendjen tënde, dhe tash, falë­nde­rimi i takon Allahut, u vërtetove se vjehrra jote nuk do të vdes nga helmi!

    Sillu me njerëzit ashtu si do ti vet të sillen ata me ty, të keqen ktheje me të mirë, udhëhiqi njerëzit me mirësi dhe mos u ngut në gjykim!

    Disa e komentojnë sjelljen e mirë si frikë, ngase ata nuk janë edukuar ta respektojnë tjetrin në jetë, disa e komentojnë mirësinë si budallallëk, ngase ata nuk shohin më larg se zemra e tyre e zezë.

    Ti sheh më larg, sepse ti në fakt nuk pret gjë tjetër, përveç shpërblimit nga Allahu!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • TI A NUK I XHELOZON?!

    TI A NUK I XHELOZON?!

    Isha e ulur në klasë duke lexuar në libër, kur më erdhi mësuesja dhe e buzëqeshur më tha: A nuk i xhe­lozon?! – E lashë librin dhe e pyeta se pse?!

    Më tha: Gjithë ato vajza përreth teje, të parfumova dhe me rroba të mira, apo më shkurt të them, ato janë duke u kënaqur në rininë e tyre, e ti, a nuk e do atë që e bëjnë ato dhe a nuk i xhelozon?!

    U buzëqesha dhe i thashë: Po, unë xhelozoj, edhe unë jam krijesë e Allahut dhe në brendësi i posedoj të gjitha ndjenjat njerëzore, mirëpo, pyetja më kryesore është se pse të xhelozoj dhe kujt t’i xhelozoj?!

    Unë i xhelozoj asaj motre që ma tejkalon me hapa drejt Allahut!

    I xhelozoj asaj motre, që e lexon Kur’anin dhe e përfundon atë, dhe bëhet prej hafizeve të Kur’anit!

    I xhelozoj asaj motre, që e mbulon trupin, ashtu si do dhe është i kënaqur Allahu.

    I xhelozoj asaj motre apo nëne, që e flijoi për këtë fe, fëmijën e saj apo burrin e saj, duke i mbrojtur simbolet e kësaj feje.

    I xhelozoj më tepër asaj motre që e fitoi dëshminë në rrugë të Allahut!

    I xhelozoj më tepër dhe më tepër, asaj motre që Allahu ia mundësoi ta ketë përfundimin e mirë dhe fytyra e saj i ndriçon duke qenë e vdekur.

    Pra, xhelozia ime nuk është si ajo që sillet nëpër mendjen tënde. Unë i dua ato vajza të gjitha dhe e lus Allahun që të më bashkon me to në dynja dhe në Xhenet!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline