Category: Familja & jeta bashkëshortore

  • FËMIJËT TANË DHE NAMAZI

    FËMIJËT TANË DHE NAMAZI

    Fëmijët janë bukuria dhe shkëlqimi i kësaj bote, ndërsa ecja e tyre në rrugë të drejtë është dritë dhe kënaqësi e vërtet për sytë e prindërve.

    Për të qarë është gjendja në xhamitë tona të cilat janë boshe pa prezencën e të rinjve. Të rralla janë ato xhami ku përveç pleqve falen edhe të rinj. Kjo, pasha Allahun, nuk është mirë për neve dhe tregon se ka devijime në edukatë fetare dhe se kjo është dobësi e prin­dërve. Nëse nuk falen sot, kur do të falen ata të rinj në xhemat me muslimanët!?

    Pasi që mëkati më i madh dhe përgjegjësia më e madhe bie mbi prindërit, atëherë së pari e rikujtoj veten e pastaj të gjithë për­gje­gjësit e familjeve të cilët e morën mbi supe amanetin, me fjalët e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem: “Çdonjëri prej jush është bari (kujdestar) dhe çdonjëri është përgjegjës për kopenë e tij. Burri është bari për shtëpinë e tij dhe përgjegjës për kopenë e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe përgjegjëse për kopenë e saj.”

    Allahu, azze ue xhel, na njofton në Kur’an dhe thotë: O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundër­shtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.  (Et-Tahrim: 6)

    Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut. Taha: 132)

    Në një hadith të qartë të cilin na e rrëfen i Dërguari i këtij Umeti Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, i porosit të gjithë prindërit: “Urdhërojini fëmijët tuaj që të falin namazin në moshën shtatë vjeçare dhe qëllojini (rrihni) që të falen kur të mbushin dhjetë vjeç dhe ndajini nga njëri-tjetri në shtrat.”

    Prej këtij udhëzimi profetik dhe fisnik mësojmë se edukimi i fëmijës për namaz duhet të jetë shkallë-shkallë dhe serioz. Fëmija thirret në moshën shtatë vjeçare ta fal namazin, mirëpo nuk rrihet vetëm se atëherë kur i mbush dhjetë të plota. Periudha tre vjeçare duhet të jetë e mjaftueshme që t’i ngulitet në zemër dashuria ndaj namazit dhe brenda kësaj periu­dhe ai thërritet mbi pesëmijë herë për faljen e namazit! Ai që i përgjigjet kësaj thirrjeje vazhdimisht brenda tri viteve, a ka nevojë që ta rrahësh pas pesëmijë namazeve!? Të paktë janë ata prindër që e praktikojnë porosinë profetike dhe kanë nevojë për edukim pasi t’i mbushë fëmija i tij dhjetë vjet. Numri i shumtë i namazeve dhe shkuarja e tij e shpeshtë në xhami brenda këtyre viteve, do të jenë shkak për bërjen e namazit pjesë të programit ditor të tij.

    Sot shumica e njerëzve i rrahin fëmijët e tyre për çështje të kota dhe banale të cilat nuk e arrijnë në vlerë gradën e namazit. Kush e mendon gjendjen e namazit të sabahut dhe sa prej fëmijëve dhe të rinjve prezantojnë në faljen e tij, do të mërzitet për gjendjen e Umetin të Islamit!

    Ku janë prindërit të cilët janë të detyruar t’i zgjojnë fëmijët e tyre?

    Abdullah ibën Abasi, radijallahu anhu, na rrëfen se kishte shkuar te tezja e tij Mejmuneh, radijallahu anha, dhe pasi që u errësua erdhi i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i pyeti: “A u fal djaloshi?” – I thanë: “ Po, o i Dërguar i Allahut u fal.”

    Ibën Omeri, radijallahu anhu, thonte: “Fëmijës i mësohet namazi atëherë kur e dallon të djathtën e tij prej të majtës.”

    Të parët tanë i vështronin me vëmendje fëmijët e tyre se a e falnin namazin dhe i pyesnin rreth saj.

    Nga Aisha, radijallahu anha, na përcillet të ketë thënë: “Sahabët i merrnin fëmijët e tyre në xhami, që të falen me ta. Njëkohësisht u jepnin ushqime të shijshme vetëm e vetëm që t’i inkurajojnë ata të vijnë në xhami e të falen me ta.

    Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë, na njofton se njëri prej sahabëve e kishte pyetur birin e tij: “A u fale me ne? A e arrite tekbirin fillestar? – Ju përgjigj: “Jo” -Atëherë i tha: “Biri im je privuar prej një mirësie të madhe sa njëqind deve të gjitha syzezë.”

    Prindër!

    Mos lejoni që nesër të dalin prej duarve të juaja fëmijë që nuk falen dhe të bëheni mëkatar për nxjerrjen e tij në këtë Ummet si jobesimtar prej prin­dërve musliman edhe atë me pakujdesi dhe mëshirë përmbysëse.

    I frikoheni ftohtit dhe nuk e zgjoni prej gjumi për namazin e sabahut, i frikoheni nxehtit dhe nuk e lejoni të shkon në namazin e ikindisë! Allahu, azze ue xhel, thotë: Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!” Veç sikur të kuptonin!”(Et-Teube: 81)

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush e neglizhon edukimin e fëmijës së tij atë çka i bën dobi, vetëm se i ka bërë padrejtësi. Shumica e fëmijëve kanë devijuar në besim dhe moral, si rezultat i neglizhencës së prindërve për t’ua mësuar atyre fenë dhe rregullat e saj. Prandaj, i humbën dhe i shkatërruan kur ishin të vegjël, dhe kështu si bënë dobi as vetes së tyre e as prindërve kur u rritën të mëdhenj.”

    Prindër!

    Kujdesia për faljen e fëmijëve në xhami ka shumë dobi, prej saj:

    – Largimi i përgjegjësisë para Allahut, azze ue xhel, dhe mbrojtja prej mëkatit pas ngulitjes së dashurisë ndaj namazit dhe urdhrit për faljen e tij.

    Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush është përgjegjës i fëmijës apo jetimit apo robit dhe nuk e urdhëron në faljen e namazit, atëherë përgjegjësi dënohet dhe i tërhiqet vërejtje me rrahje të rëndë për shkak se i ka bërë mëkat Allahut dhe Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem.”

    – Shpresa për shpërblim për atë që e vepron fëmija i tij.

    Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Kush thërret në udhëzim, ai do të ketë shpërblimin e tij dhe shpërblimin e atyre që do e veprojnë pas tij, duke mos e pakësuar aspak shpërblimin e tyre.”

    – Ndjenja se i biri është nën mbrojtjen dhe kujdesin e Allahut, azze ue xhel, tërë ditën.

    Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Kush e fal namazin e sabahut me xhemat është nën mbrojtjen e Allahut.”

    – Largimi i fëmijës kur të rritet prej rrethit të jobesimtarëve dhe munafikëve.

    Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: Marrëveshja mes nesh dhe atyre është namazi, kush e le atë vetëm se ka bërë kufër.”

    Nuk ka namaz më të vështirë për munafikët se namazi i sabahut dhe jacisë. Po ta dinin se çfarë vlere dhe të mirash ka në to, do të vinin po qe nevoja edhe duke u zvarritur.”

    – Rritja e fëmijës në mirësi dhe në rrugë të drejtë që të bëhet thesar për të dy prindërit pas vdekjes së tyre.

    Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, mirësinë dhe drejtësinë e fëmijës e bëri kusht për t’i bërë dobi prindërve: Kur njeriu vdes, atij i ndërpritet puna, përveç tre gjërave: Lëmosha e vazhdueshme, dija nga e cila përfitohet pas tij, apo fëmija i mirë që lutet për të.”

    Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet! (Ibrahim: 40)

    – Këto janë disa shkaqe të cilat ndihmojnë që fëmija yt ta fal namazin:

    1. Së pari ti, o prind, duhet të jesh shëmbëlltyrë për fëmijën tënd duke qenë prej atyre që e falin namazin dhe kujdesen për të. Fëmija kur t’i mbush të shtatat dhe fillon t’i dallon gjërat merre me vete në xhami për faljen e namazit, se fëmija rritet ashtu si e mëson prindi i tij.
    2. Jepi përparësi çështjeve të ahiretit para atyre të dunjasë dhe ngulite këtë besim në mendjen dhe zemrën e fëmijës tënd. Mos të bëhen provimet shkollore më të rëndësishme se falja e namazit dhe mos të bëhet përsëritja për në shkollë më e rëndësishme se shkuarja në xhami. Nuk është krenari që fëmija yt të bëhet njeri me pozitë dhe me famë ndërsa ai është prej munafikëve ose jobesimtarëve që nuk prezantojnë në faljen e namazit. Mjafton të jesh krenar kur e di se i biri ushqehet prej asaj çka e fiton dora e tij dhe ai e fal namazin, kurse bashkimi i dy çështjeve pa dyshim se është më e mira.
    3. Bëhu durimtar dhe këmbëngulës se kjo çështje është e rëndë dhe lodhëse: Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! (Taha: 132), dhe përgëzohu se fundi është i ëmbël: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (El-Ankebut: 69)
    4. Lexoja dhe mësoja fëmijës tënd hadithet që flasin mbi namazin. Sqaroja dispozitat e sheriatit për atë që nuk e fal namazin dhe çfarë dënimi e pret në dunja dhe ahiret. Tregoi se ai që e fal dhe kujdeset për të është prej atyre që Allahu i do dhe i mbron dhe shpërblimi i tij është xheneti. Mos i thuaj se ti je ende i vogël dhe se ka kohë për ty kur do të falesh, por mësoja formën e faljes, dispozitat e saj dhe dobitë e saj se ajo i ndihmon në formimin e personalitet.
    5. Nxitni ata me shpërblime dhe dhurata të ndryshme për çdo namaz që e falin. Më kujtohet një prind i cili fëmijëve të tij për çdo namaz të sabahut të cilin e falnin në xhami u dhuronte të holla dhe si fryt i kësaj metode njëri prej fëmijëve iu bë një prej dije­tarëve më të mëdhenj. Po ashtu më kujtohet një plakë e cila dilte me birin e saj në namazin e sabahut çdo ditë, dhe Allahu e fisnikëroi plakën me birin e saj dhe ia bëri prej hafizëve të Kur’anit dhe një prej imamëve të njohur dhe e bëri njeriun që më së shumti e respekton nënën e tij.

    Abdullah ibën Mesudi, radijallahu anhu, thonte: “Kujdesuni që fëmijëve mos t’u ikë koha e namazit. Pastaj bëjani atyre shprehi të mirën, sepse e mira duhet të bëhet traditë.”

    1. Lutu për fëmijën tënd në çdo kohë dhe tento që ndonjëherë ai t’i dëgjon lutjet e tua për namaz dhe udhëzim dhe begati. Prej lutjeve të profetëve dhe njerëzve të mirë ishte lutja: Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet! (Ibrahim: 40)
    2. Shoqëro fëmijën tënd me njerëz të mirë besimtarë që e lexojnë Kur’anin dhe e falin namazin me xhemat.
    3. Mendo çdo herë kur dëshiron të blesh shtëpi që ajo të jetë afër xhamisë se ajo të ndihmon shumë në nënshtrim ndaj Allahut, dhe posaçërisht i ndihmon fëmijës tënd në faljen e namazit.
    4. Mendo ndonjëherë se fëmija yt të cilin e do mund të bëhet lëndë djegëse në rast se nuk falet: O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. (Et-Tahrim: 6)
    5. Bëhu serioz dhe këmbëngulës në urdhërimin e tyre për faljen e namazit. Kujdesu që t’i zgjosh prej gjumi në namazin e sabahut dhe merri të gjitha sebepet e mundshme, se fëmija kur e sheh se prindi ka seriozitet në këtë çështje atëherë edhe ai do ta merr çështjen me seriozitet. Bashkëpuno me imamin e xhamisë që ta nxit fëmijën tënd dhe të tjerëve në faljen e namazit dhe t’i përcjell ata se a prezantojnë rregullisht në xhami.

    O ju prindër muslimanë, kjo rrugë është e rëndë dhe lodhshme, por më e lodhshme dhe më e mërzitshme është kur ta shohësh fëmijën tënd të devijuar, me alkool dhe me drogë në duart e tij, prandaj lufto se mundi ytt në fund do të shpërblehet: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (El-Ankebut: 69)

    E lus Allahun, azze ue xhel, që t’i përmirësojë dhe drejtojë familjet dhe pasardhësit tanë dhe t’i bëjë kënaqësi dhe drita e syve të prindërve.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • VAJZA JOTE ËSHTË BËRË GRUA, A E BESON?!

    VAJZA JOTE ËSHTË BËRË GRUA, A E BESON?!

    Ekziston një ditë, një moment, një çast, kur çdo baba dhe nënë e paramendojnë se është i largët dhe besojnë, se nuk do të vijë shumë shpejt. Ajo ditë është kur ata e shohin vajzën – që dikur zvarritej – para tyre si nuse, e cila niset për në shtëpinë e burrit të saj dhe fillon jetën e saj të re, të përbërë prej një familjeje me anëtarë të rinj.

    Shumica e prindërve vajzat e tyre gjithmonë i traj­tojnë si fëmijë. Prandaj përgatitja e tyre për atë ditë të rëndësishme në shumicën e rasteve është vetëm në aspektin material, kjo më tepër duke blerë disa nevoja për nusen dhe për dasmën. Ata harrojnë një çështje, që është më e rëndësishme, më e rrezikshme dhe është shkak për lumturinë e vazhdueshme në jetën e fëmijës së tyre, e ajo është mësimi i asaj me atë që: çka do të thotë të jesh bashkëshorte.

    Ata mendojnë, se para tyre kanë shumë kohë për t’ia mësuar e shpjeguar asaj çdo send rreth martesës, dhe për atë shkak e neglizhojnë ngulitjen e botëkup­timit të fjalës bashkëshorte, qëllimet, mjetet dhe elementet përbërëse të saj. Harrojnë se në shoqëri ekzistojnë çerdhe edukimi dhe faktorë ndikues, ku t’i edukojnë fëmijët e tyre me të njëjtat tematika, por me një pasqyrë krejtësisht të kundërt që e lejon Islami dhe e dëshirojnë prindërit muslimanë për fëmijët e tyre. Si rezultat i kësaj vjen një brez i ri vajzash, të cilat prej çështjeve të martesës dinë vetëm për fustanin e bardhë, termin “nuse”, përgatitjen e shtëpisë bashkë­shortore dhe radhitjen e mobilieve të asaj shtëpie. Kur vjen ajo ditë që e ëndërron çdo vajzë, këto mbretëresha fillojnë jetën e tyre bashkëshortore, por me bindje dhe mendime të formuara dhe ndikuara prej faktorëve të jashtëm. Ato bindje në shumicën e rasteve janë se mar­tesa është një aventurë e ëmbël, me shumë udhëtime dhe shëtitje. Ajo ka bindjen se bashkëshorti e dashuron atë deri në atë gradë, saqë vepron çdo send që ajo dëshiron për të realizuar kënaqësinë e plotë që ajo ëndërron. Mendon se s’ka nevojë të ndërhyjë askush dhe të veprojë asgjë për shpëtimin e kësaj marrëdhënie bashkëshortore dhe se ajo thjesht shkon tek ai për t’u kënaqur me një jetë të re, të sigurt, të qetë dhe të kënaqshme.

    Shumica e njerëzve e neglizhojnë edukimin dhe përgatitjen e vajzave për një jete të re me një burrë, që nuk e njeh më herët dhe nuk ia njeh karakterin dhe tiparet e tij. Ky burrë do të bëhet gjatë natës dhe ditës njeriu më i rëndësishëm në jetën e saj, kënaqësia e tij dhe respektimi i tij do të bëhet për bashkëshorten derë prej dyerve të Xhenetit. Pas kësaj nuk mbetet për atë grua gjë tjetër veçse përkujdesja për pesë kohët e namazit, të agjërojë një muaj në vit dhe të mbrojë nderin e saj, derisa të thërritet në Ditën e Gjykimit dhe të zgjedhë cilën derë të dëshirojë ajo prej Xhenetit. Na përcjell imam Ahmedi nga Abdurrahman ibën Aufi, i cili thotë: Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ajo grua që i fal pesë kohët e namazit, agjëron Ramazanin dhe e respekton burrin e saj, i thuhet hyn në Xhenetin e Allahut prej cilës derë dëshiron”. Po ashtu hadithin e përcjell Ibën Hibani në Sahihun e tij, dhe Shejh Albani thotë se hadithi është i vërtetë. Për këtë shkak ajo obligohet të përgatitet me të vërtetë dhe seriozisht për martesën. Duhet të veprojë, të mendojë dhe të kontribuojë rreth asaj, se si ta arrijë këtë shpërblim të madh, i cili ecën paralelisht dhe i përgjigjet gjithë asaj që e veprojnë burrat prej nën­shtrimeve, si xhihadin, namazin me xhemat dhe ditën e Xhumasë.

    Një ditë shkoi Esma bint Jezid ibën es-Seken el-Ensarije, radijallahu anha, e njohur edhe me emërtimin hatibja (ligjëruesja) e grave, tek Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut. Allahu të dërgoi për të gjithë njerëzit, burra dhe gra dhe ne të besuam ty dhe Zotin tënd. Ne gratë jemi të përku­fizuara, të mbyllura mes katër mureve, jemi mbajtëse dhe kujdestare e shtëpive tuaja, bartëse e fëmijëve tuaj, por ju o burra u dalluat dhe u parapëlqyet ndaj nesh me prezencën e bashkësisë dhe xhemateve, me prezencën e xhenazes, me vizitën e të sëmurëve, pastaj u dalluat dhe u parapëlqyet ndaj nesh me shkuarjen në Haxh pas Haxhi, dhe më e madhe se kjo, shkuarjen në luftë për hir të Allahut. Një burrë prej jush, kur merr rrugën për në Haxh, apo Umre, apo Xhihad, ne mbesim në shtëpitë tuaja, kujdesemi për pasurinë tuaj, edukojmë fëmijët tuaj, qepim rrobat tuaja. Prandaj, a marrim pjesë edhe ne gratë në atë çka ua ka dhënë Allahu prej të mirave dhe shpërblimeve? – Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u kthye me trupin e tij, dhe tha: ”A dini ndonjë grua, që ka pyetur për çështjet e fesë së saj më mirë sesa kjo grua”.

    Gratë thanë: O i Dërguari i Allahut, nuk e kemi paramenduar, se një grua mund të bëjë një pyetje të tillë. Pastaj Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Oj ti Esma, kupto prej meje atë çka do të them. Tregoju gjithë grave të tjera, se ajo grua që është bashkëshorte e mirë ndaj burrit të saj, e respekton dhe i nënshtrohet urdhrave të tij, ia plotëson të gjitha dëshirat e tij, është e barabartë me krejt atë që vepron burri”. U kthye Esmaja dhe e madhëronte në vete Allahun duke përsëritur fja­linë: “Është e barabartë me krejt atë që vepron burri, është e barabartë me krejt atë që vepron burri”. (Bejhakiu, në librin e tij Shuab el Iman)

    Të parët që duhen dhe detyrohen të kujdesen për këtë edukatë të dëshiruar dhe synuar janë prindërit. Ata janë të parët që do të mallkohen dhe akuzohen, në rast se e neglizhojnë dhënien e kësaj edukate vajzës së tyre, dhe janë të parët që do të mallkohen nga ana e vajzës së tyre, kur ajo nuk do të mund ta kryejë rolin e saj të duhur si bashkëshorte. Si rezultat i kësaj edukate ajo ndoshta do të kthehet në shtëpinë e babës së saj, por me një epitet të ri, si e shkurorëzuar apo e ndarë. Sipas një studimi zyrtar, viti i parë i martesës është viti kur edhe ndahet më shumë burri prej gruas së tij. Në vazhdim do t’i përmendim disa manifestime të negli­zhencës në edukatën e fëmijëve rreth botëkuptimit të fjalës bashkëshortësi dhe disa parafytyrime të gabuara të grave rreth martesës dhe nevojave të saj.

    – Te disa njerëz ekziston një bindje, që martesa nuk ka rëndësi të madhe dhe nuk është e domosdoshme, derisa vajza është e lumtur, e respektuar, e qetë në shtëpinë e babës së saj, dhe nuk i mungon as sendi më i vogël. Shpërndarja e këtij besimi në mesin e vajzave vjen si pasojë e dëgjimit të problemeve martesore dhe ankesave të disa grave të divorcuara, prej të cilave disa janë të vërteta, por në shumicën e rasteve janë gënje­shtra, vetëm që ta mbrojnë veten prej fjalëve të njerëzve. Ky është edhe shkaku i largimit të vajzave prej idesë së martesës, posaçërisht kur është e re dhe me përvojë të pakët, dhe kur mbështetet në edukatën e shoqeve të saj dhe mjeteve të informimit, duke mos e harruar këtu edhe neglizhencën dhe preokupimin e prindit, që ta përmirësojë atë ideologji të gabuar.

    – Disa prej vajzave martesën e njohin thjesht vetëm si ceremoni dhe protokoll. Kur përmendet martesa ajo fillon të flasë vetëm për anën materiale që nuk vlen aspak. E neglizhon dhe e harron, askush s’ia tërheq vërejtjen asaj për anët e tjera martesore, e që pa dyshim gjurmët e saj janë më të mëdha në jetën bashkëshortore, si p.sh.: menaxhimi dhe administrimi i punëve shtëpiake, mënyra e sjelljes me burrin dhe me familjen e tij, mënyra e veprimit të saj në fazën e re që do të ballafaqohet me të. Disa prej vajzave pasi martohen nuk dëshirojnë të binden se gjendja e tyre është ndryshuar dhe se nuk është më vajza e babit, por është bërë bashkëshorte, e cila është përgjegjëse për veprat dhe sjelljet e saj para njerëzve. Njerëzit në shumicën e rasteve i pranojnë dhe i falin disa vepra dhe gabime prej një vajze të pamartuar, në krahasim me një grua të martuar, ku nuk pranohen veprat dhe gabimet e saj aq lehtë, po sikur ta kishte kaluar edhe vetëm një natë si e martuar.

    – Shumica e vajzave në ëndrrat e tyre e imagjinojnë bashkëshortin me cilësi dhe veti të plota, që realisht ato veti nuk gjenden tek asnjë njeri asnjëherë. Prandaj lindin edhe problemet kur vjen një djalosh e kërkon dorën e saj dhe ajo e refuzon për shkak se nuk i përngjan princit të ëndrrave të saj. Ndonjërin e refu­zon se është i varfër, tjetrin se është i vogël, apo hundën e ka të madhe, është i trashë, e kështu me radhë, kurse prindërit e saj për fat të keq e mbështesin plotësisht dhe e respektojnë lirinë e të drejtës së saj në zgjedhjen e burrit të vet. Në vazhdim ajo e humb shansin për t’u martuar me një burrë, i cili e respekton, e nderon, ia mbron dynjanë dhe fenë e saj, ia plotëson të drejtat e saj dhe ia ngre pozitën asaj tek Allahu.

    – Në disa shtëpi është nëna ajo, e cila merr përgjegjësinë e plotë për përkujdesjen e shtëpisë. Ajo gatuan, pastron, ia drejton dhe ia rregullon vajzës shtratin, ia lan rrobat dhe çka është më e keqja nuk e mëson vajzën e tyre për përgjegjësitë e saj ndaj shoqë­risë, si pjesëmarrjet, urimet, ngushëllimet, lidhjet farefisnore etj. Prandaj shumë shpejt pasi ajo martohet ballafaqohet me një problem shumë të madh. Ajo detyrohet t’i kryejë personalisht të gjitha këto detyra, në shtëpi apo jashtë saj, e pastaj ndoshta edhe lind fëmijë, e nuk di se si ta ushqejë, e ta pastrojë, dhe në fund detyrohet që ta thërrasë nënën e saj që ta ndih­mojë dhe të plotësojë rolin e saj në përgjegjësisë e për­kujdesjes së shtëpisë së vajzës së vet. Sa i përket bu­rrave të këtyre vajzave në kësisoj rastesh hasim burra që bëjnë durim me gratë e tyre, hasim burra që nuk bëjnë durim dhe fillojnë problemet mes tyre, ku mund të përfundojnë edhe me ndarje mes bashkëshortëve, e në fund ata që akuzohen janë prindërit, e në veçanti nëna.

    – Janë disa vajza, të cilat besojnë se martesa është ëndërr e ëmbël, fillimi i një tregimi për një dashuri të bukur, dhe se ajo është porta e lumturisë, duke mos u munduar aspak për arritjen e saj dhe se martesa është vetëm aventurë, kënaqësi, dashuri, rehati etj. Të gjitha këto premtime janë fjalë dhe ide, që i ngulitin djemtë në mendjen e vajzave dhe mosreagimi i prindërve në përmirësimin e këtyre ideve të gabuara bëhet shkaktar i problemeve bashkëshortore. Kur ajo vajzë e porsa­martuar ballafaqohet me realitetin, ajo sheh se krejt ato premtime ishin ëndrra dhe iluzione.

    Pra, martesa është një përgjegjësi e vazhdueshme në jetë dhe nuk është vetëm kënaqësi, por është edhe vepër dhe këmbëngulje në arritjen e lumturisë, e cila ndoshta dallon prej asaj që e ka parafytyruar një vajzë, mirëpo lumturia në martesë ka shumë forma dhe lloje të tjera plotësisht të kundërta me atë që e parafy­tyrojnë vajzat në mendjen e tyre.

    JAHJA EL BULINI

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • POROSI PËR FEMRËN MUSLIMANE

    POROSI PËR FEMRËN MUSLIMANE

    Motra ime muslimane, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ty!

    Allahu, azze ue xhel, i ka lavdëruar gratë muslimane të cilat janë besimtare, durimtare, e të devotshme dhe i ka përshkruar se ato janë besnike që ruajnë fsheh­të­sitë që ka urdhëruar Allahu. Prandaj Allahu, azze ue xhel,kur i ka përshkruar cilësitë e besimtarëve ka thënë: “Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim).”(Ali Imran: 195)

    Motra ime muslimane, pasi që Allahu të nderoi e fisnikëroi me këtë fe dhe të bëri mbretëreshë të vërtetë, dëshiroj ta dhuroj një buqetë këshillash, e cila i përmban në vete dhjetë këshilla që i përngjajnë trëndafilave të bukur dhe me aromë të këndshme:

    Këshilla e parë: Gruaja muslimane beson se Allahu është Zoti i saj dhe se Muhamedi është i dër­guari i saj dhe se Islami është feja e saj. Gjurmët e besimit të saj shihen qartazi në fjalët, veprat dhe mendimet e saja, pra ajo është e kujdesshme prej hidhërimit të Allahut dhe i frikësohet dënimit të Tij të dhimbshëm si rezultat i kundërshtimit të urdhrave të Tij.

    Këshilla e dytë: Gruaja muslimane është e kujdesshme për faljen e pesë kohëve të namazit me nënshtrim të plotë dhe me abdes në kohën e duhur, duke mos e preokupuar prej namazit me asgjë tjetër dhe duke mos penguar prej adhurimit asnjë dëfrim. Tek ajo shihen qartazi gjurmët e namazit, për shkak se na­mazi largon prej imoralitetit dhe të këqijave dhe është fortifikatë e madhe prej mëkateve.

    Këshilla e tretë: Gruaja muslimane është e kujdesshme në veshjen e mbulesës dhe ajo nderohet e fisnikërohet me veshjen e saj. Nuk paraqitet vetëm se e mbuluar duke kërkuar mbrojtje prej Allahut, azze ue xhel, dhe duke e falënderuar Atë që e fisnikëroi dhe e mbrojti me veshjen e hixhabit dhe dëshiroi pastrimin e saj. Thotë i Lartësuari:O ti i Dërguar,thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave tëbesimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët.” (El-Ahzab: 59)

    Këshilla e katërt: Gruaja muslimane është e kuj­desshme në nënshtrimin ndaj burrit të saj, është e butë me atë, e mëshiron, e thirr në të mirë dhe e këshillon, e qetëson, nuk e rrit zërin e saj ndaj tij dhe nuk është e vrazhdët me atë në fjalim. Transmetohet me një hadith të vërtet se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ajo grua që i falë pesë kohët e namazit, e agjëron Ramazanin, e mbron nderin e saj dhe e respekton burrin e saj, hyn në Xhenetin e Allahut.”

    Këshilla e pestë: Gruaja muslimane i edukon fëmijët e saj me nënshtrim ndaj Allahut, azze ue xhel, i ushqen me besim të vërtetë dhe ia mbjell në zemrat e tyre dashurin ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i largon prej mëkateve dhe moralit të shëmtuar, thotë Allahu, azze ue xhel:“O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëjt e fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrate Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Et-Tahrim: 6)

    Këshilla e gjashtë: Gruaja muslimane nuk vet­mohet me burrë të huaj, transmetohet me një hadith të vërtet se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk është vetmuar një grua me një burrë, vetëm se shejtani ka qenë i treti i tyre.” Transmetojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu, hadithi është i vërtetë.

    Pra, ajo nuk udhëton e vetmuar pa mahrem, nuk i viziton tregjet dhe vendet publike vetëm se me nevojë edhe atë duke e mbuluar trupin e saj me hixhab.

    Këshilla e shtatë: Gruaja muslimane nuk i përngjason burrave në atë çka është e veçantë vetëm se për burrat. Thotë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem: “I mallkoftë Allahu ata burra që i përngjasojnë grave dhe ato gra që i përngjasojnë burrave.” Transme­tojnë Buhariu, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibni Maxheh.

    Po ashtu ndalohet përngjasimi me jobesimtaret në atë çka veçohen ato prej zbukurimeve dhe pamjeve, ku thotë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem: “Kush i përngjason një populli ai është prej tyre.” Transmeton Ahmedi dhe Shejh Albani thotë se hadithi është i vërtetë.

    Këshilla e tetë: Gruaja muslimane në radhët e grave thirr në fenë e Allahut, azze ue xhel, me fjalë të bukura, e duke e vizituar fqinjën e saj, e duke komuni­kuar me motrat e saj muslimane me telefon e me internet, e duke shpërndarë libra dhe kaseta islame. Ajo vepron me atë çka e thotë dhe kujdeset ta shpëton veten dhe motrat e saja nga dënimi i Allahut. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Të bëhesh shkaktar për udhëzimin e një njeriu është më mirë për ty se sa të posedosh deve të kuqe .” Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

    Këshilla e nëntë: Gruaja muslimane e ruan zem­rën e saj prej dyshimeve dhe epsheve, syrin e saj prej haramit, veshin e saj prej muzikës dhe gjërave të turpshme, të gjitha gjymtyrët e saj prej thyerjes së ligjit të Allahut dhe e di se kjo është devotshmëria. Transmetohet se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, me një hadith të vërtetë ka thënë: “Turpërohuni prej Allahut më turp të vërtetë, se kush turpërohet prej Tij me turp të vërtet, e mbron kokën e tij dhe vetëdijen, barkun dhe çka ka në të, dhe kush e kujton pleqërinë i harron kënaqësitë e kësaj bote”. Transmeton Tirmidhiu.

    Këshilla e dhjetë: Gruaja muslimane nuk i kalon ditët dhe netët e saja në gjëra të kota, e ruan kohën e saj dhe e shfrytëzon në të mirë. Nuk është përgojuese, bartëse fjalësh, ofenduese, e papërqendruar e negli­zhente. Allahu, azze ue xhel, thotë: Largohuni nga ata që fenë e tyre e marrin si lojë dhe dëfrime që janë mashtruar nga jeta e kësaj bote!”(El-En’am: 70), dhe thotë për një popull që e humbë jetën e tyre duke e kaluar në gjëra të kota: Kur Ora (e Kiametit) t’u vijë papritur, ata do të thërrasin: “Të mjerët ne, sa shumë që ekemi neglizhuar (Kiametin) në jetën e Tokës!” dhe do të bartin gjynahet e veta mbi shpinat e tyre. Eh, sa e shëmtuar është ajo ba­rrë!”(El-En’am: 31)

    Autor: Aid El Karni

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • PESË THEMELET IMANORE NË EDUKIMIN E FËMIJËVE

    PESË THEMELET IMANORE NË EDUKIMIN E FËMIJËVE

    Për ta filluar një proces edukator të saktë dhe preciz, kemi nevojë që ta fillojmë në formë të pla­nifikuar dhe shkencor, po ashtu kemi nevojë për precizitet dhe saktësi në zgjidhjen e mjeteve dhe meto­dave të përshtatshme për çdo person në veçanti.

    Islami e ka themeluar metodologjinë e tij të madhe edukatore në një formë që i përshtatet çdo individi, si do që të jenë cilësitë e tija. Neve na mbetet që ta hulumtojmë dhe meditojmë brendësinë dhe kuptimet e kësaj metodologjie, që të arrijmë në zgjidhjen e çdo problemi edukator, dhe shërimin e çdo sëmundjes që paraqitet te fëmijët tanë, dhe po ashtu tek ne të moshuarit.

    Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, themeloi metodologji edukatore dhe shkollë familjare të rrallë, unike në kultivimin dhe edukimin e fëmijëve. Po ashtu vendosi rregulla edukatore teorike të cilat i dëshmoi me sukses të madh praktika, dhe e tërë bota ende vazhdon ta dëshmon superioritetin e kësaj edukate.

    Mundemi t’i veçojmë dhe numërojmë themelet më të rëndësishme, në disa themele të përgjithshme, me të cilat i edukoi Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, fëmijët e tij dhe urdhëroi në edukimin e fëmijëve të Ummetit mbi këto themele.

    1. Themeli Akaidik (Ideologjik): Ky themel përfaqëson boshtin kurrizor e çdo mendimi, dhe prapavijën e domosdoshme të çdo sjelljeje. Po ashtu përfaqëson mbështetjen kryesore në lëkundjet dhe ndërrimet e kushteve të ndryshme jetësore. Për atë shkak Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e vendosi themelin ideologjik si themel të parë në metodologjinë e edukimit të fëmijëve, se kur e kaplon zemrën dhe besimin e njeriut, dyshimi dhe dobësia, i lëkund dhe çrregullon pjesët pasuese të saj, si mendimin, sjelljen dhe konceptin. Prandaj, e vërejti Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, se obligohet përforcimi i besimit në zemrat e fëmijëve prej moshës fëmijërore, kështu që ata fëmijë më vonë të rriten me palëkundshmëri të dalluar në ideologji dhe metodologji.

    Me themel ideologjik këtu nënkuptojmë, atë çka mundet të vendoset dhe përforcohet në zemrën e fëmijëve, prej besimit në Zotin e tyre, prej besimit në emrat dhe cilësitë e Tij,  prej kuptimit të qenurit rob i Tij, pastaj besimit në profecitë, librat qiellorë, ditën e fundit, kaderin, fshehtësitë dhe të padukshmet. Pra, ky themel i përfshin të gjitha anët e jetës, dhe të gjithë Pejgamberët në thirrjen e tyre në njësim dhe besim të Allahut, kanë ardhur me këtë themel.

    Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ishte i kuj­desshëm në mbjelljen e besimit të pastër në Allahun azze ue xhel në zemrat e fëmijëve të tij dhe fëmijëve të Ummetit dhe s’lejonte që të bien viktima të epsheve të tyre, apo ideologjive të ndryshme, që t’i largojnë prej rrugës së drejtë.

    Vërejmë se si Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ecte në rrugë, i hipur në kafshën e tij dhe pas tij një vogëlush i quajtur ibën Abas, radijallahu anhu, e mësonte mësime për besim të pastër, duke i thënë: “O djalosh, do t’i mësoj disa fjalë: Ruaje fenë e Allahut, Allahu do të ruajë ty. Ruaje fenë e Allahut, Allahun do ta gjesh para teje. Kur të kërkosh, kërko prej Allahut. Nëse kërkon ndihmë, kërko prej Allahut. Dije, sikur tërë populli të tubohej që të të ndihmojnë në diç, nuk do të të ndihmonin, përveç atë çka të ka caktuar Allahu. E nëse do të tubo­heshin që në diç të të bëjnë dëm, nuk do të të dëmtonin, përveç në atë çka Allahu tash më të ka caktuar. Janë ngritur lartë penat dhe janë tharë faqet (d.m.th. çdo gjë është caktuar dhe mbaruar)”. (Tirmidhiu) Pra, e vërejmë se si ai mbjell në zemrën e këtij vogëlushi lidhje të fortë me Allahun e tij, mbështetjen në Atë, besimin në prezencën a Tij, ruajtjen e fesë së Tij dhe mos frika prej njerëzve kur ai vepron me fenë e Allahut azze ue xhel.

    1. Themeli i dytë edukator, Dituria: Në edukatë rëndësia e këtij themeli vjen për shkak se dituria përfaqëson çelësin e madh për kuptimin dhe ndër­timin e rezistencës morale, dhe lloji i diturisë së pra­nuar për njeriun formon animet, tendencat dhe bindjet e tij, në drejtim të asaj çka e rrethon atë, prej gjallesave dhe kozmosit.

    Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ishte i kujdesshëm t’ua mësojë atyre diturinë e dobishme dhe t’ua vërtetojë se nevoja e tyre për diturin s’është më e vogël se nevoja e tyre për ushqim dhe pirje. Prandaj, u thoshte atyre duke i nxitur, se: “Dijetarët janë pasardhësit e të Dërguarve”. (Ebu Davudi), dhe i më­sonte që të kërkojnë mbrojtje tek Allahu prej diturisë që s’bën dobi, kështu që njeriu të frikohet dhe mos shpreson mendjemadhësisë dhe lavdërimin mes nje­rëzve. Duaja që ua mësonte atyre ishte: “O Zot, kërkoj mbrojtjen tënde prej diturisë që s’bën dobi dhe prej zemrës që s’frikohet”. (Muslimi)

    1. Themeli i tretë, Të qenurit rob i sinqertë për Allahun dhe largimi prej mëkateve dhe gjynaheve: Edukata prodhuese patjetër duhet të posedon përmbajtje të brendshme të sinqertë dhe cilësi individuale të dalluara, që të mundet ta ndërton brendësinë e personalitetit tek fëmijët.Pastaj, ai fëmijë mundet ta jeton jetën e tij si i sinqertë e jo rrenacak, si i pastër e jo i njollosur dhe fëlliqur, dhe gjithmonë të jetë në lidhje me Zotin e tij dhe të ndjen në brendësinë e tij se Ai e kontrollon, dhe kështu të drejtohet sjellja dhe ideologjia e tij, dhe të drejtohen shpresat dhe ambiciet e tij.

    Muadh ibën Xhebeli një ditë u fal me Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe pas namazit i tha Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, Muadhit: “O Muadh, pasha Allahun të dua për hir të Allahut, prandaj mos harro që pas çdo namazi të thuash: O Zoti im,  më ndihmo mua në përmendjen Tënde, në falënderimin ndaj Teje dhe në formën e mirë të adhurimit”. (Ebu Davudi)

    Pra, ai, sal-lallahu alejhi ue selem, i mësonte se adhurimi është mirësi, begati, dhe fisnikëri prej Allahut azze ue xhel, dhe s’është përpjekje prej njeriut ose aktivitet trupor, por është mbarësi Hyjnore. Të gjithë janë nevojtar për mbarësinë e Zotit të tyre që t’i lehtësohet adhurimi i pranuar. Po ashtu, e mësonte se adhurimi kërkon përhershmëri në kërkimin e ndihmës prej Allahut, se pa kërkimin e ndihmës prej Tij, mundet ta bën njeriun të gëzohet me veprat e tij, të bëhet kryelartë e në fund të shkatërrohet. Prandaj, ai, sal-lallahu alejhi ue selem, ngulit në zemrën e tij se besimtari kur e adhuron Allahun e tij duhet të kërkon ndihmë prej Tij, dhe të mbështetet në Atë, se Ai azze ue xhel është i cili e mbarëson njeriun në nënshtrimin e Tij.

    1. Themeli i katërt, Veprimi ose Zbatimi: Edukata e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, është edukatë zbatuese që s’mjafton vetëm me fjalë, por vazhdimisht thirr në veprim dhe zbatim, prandaj s’ka dituri pa vepër, dhe s’ka këshillë pa shëmbëlltyrë, dhe s’ka koncept pa realizim. Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, ishte i kujdesshëm që të jenë mësimet e tija për fëmijët e tij edukatë e cila kalon prej fjalës në vepër ndërtimi ose në moral të pëlqyer ose në përmirësimin e sjelljes në të mirë.

    Pra,  puna në teorinë edukatore Muhamedane është nder, realitet, obligim dhe jetë, dhe është shkak i shpërblimit dhe mjet i dallimit mes njerëzve, thotë Allahu, azze ue xhel: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Ez-Zelzele: 7-8)

    Zotërimi i një profesioni në mënyrë të përsosur për njeriun është vlera e besimit të lartë, siç ka ardhur në hadith: “Allahu e do çdonjërin prej jush, i cili kur punon e zotëron profesionin e vet”. (Taberaniu)

    Shkallën që e arritën dijetarët në Islam, nuk e arritën thjesht me diturin e tyre, por e arritën kur ia bashkëngjitën diturisë së tyre veprën, kështu që u bënë dijetarët më të aftit për përmirësimin në tokë.

    Po ashtu, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i mësonte se vepër e dobishme dhe e kërkuar është ajo e cila ta ndërton Ahiretin dhe ta përmirëson dunjanë, e jo ajo e cila ta shkatërron dunjanë dhe Ahiretin, dhe se çdo individ e ka obligim ta zvogëlon papunësinë dhe pasivitetin prej rritjes, duke iu thënë: “Që ndonjëri prej jush ta marrë litarin dhe të mbledh dru dhe t’i vejë në shpinë, është më mirë për të sesa të shkojë te dikush që Allahu i ka dhënë pasuri dhe të kërkojë lëmoshë nga ai, i dha ai apo jo”. (Buhariu dhe Muslimi),  dhe i thotë atyre: “Nëse vjen dita e Gjykimit dhe një besimtar ka në dorë një fidan për të mbjellë para së të vijë ajo ditë, le ta mbjellë”. (Ahmedi)

    1. Themeli i pestë, Morali: Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, i mësonte se morali i mirë është kufi, i cili e mbron sjelljen prej devijimit, kriminalitetit dhe gabimit. Ai që s’posedon moral të mirë, s’ka sho­qëri dhe s’ka vëllazëri, ikin njerëzit prej tij dhe e urrej­në më të afërmit e tij.

    Ai i cili s’ka moral të mirë e mbisundon epshi i tij dhe bie në gabime, dhe çfarëdo diturie të mëson s’shfaqen në të gjurmët e asaj diturie. Edhe pse meto­dologjitë tjera jo islame e ndërtojnë një qytetar të sinqertë, të cilit s’intereson se çka veprojnë të tjerët, metodologjia islame tenton ta ndërton një njeri të sinqertë me moral të lartë, i cili ua do të tjerëve atë që e do për vete. Vet Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e sheh se porosia e tij në përgjithësi kristalizo­het në një kuptim të vetëm, i cili është morali i mirë dhe edukata në atë moral, dhe thotë: “Jam dërguar që t’i përkryej vlerat morale”. (Ahmedi), dhe i nxit në kultivimin e moralit të lartë, duke thënë: “ Vërtet më i dashuri te unë prej jush dhe më i afërti te unë ditën Gjykimit do të jetë ai i cili është me moral më të mirë”. (Ahmedi)

    Autor: Halid Rushah

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • MOSRESPEKTIMI I PRINDËRVE

    MOSRESPEKTIMI I PRINDËRVE

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe të qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muha­medin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

    E drejta e prindërve është e madhe, pozita e tyre në fenë e Allahut është shumë e lartë, respektimi i tyre ka ardhur paralel me teuhidin, mirënjohja e tyre ka ardhur paralel me mirënjohjen e Allahut, ndërsa bamirësia ndaj tyre është një prej veprave më të mëdha dhe më të dashura tek Allahu. Respektimi i prindërve është prej moralit të pejgamberëve, në të përpiqen dhe këmbëngulin njerëzit e mirë, të gjitha fetë qiellore janë në pajtim rreth detyrimit të tij dhe mendja e shën­doshë e pohon atë.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit”. (En-Nisa: 36)

    “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël”.(El-Isra 23-24)

    “Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është bren­da dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falën­derues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”. (Lukman: 14)

    Ibën Abasi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Tri ajete të Kur’anit kanë zbritur si ajete ku në to vepra nuk pranohet pa veprën tjetër e cila ka ardhur paralele me të:

    Ajeti i parë: “Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit”.(En-Nisa: 59), kush i nënshtrohet Allahut dhe nuk i nënshtrohet të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, nuk pranohet nënshtrimi i tij ndaj Allahut.

    Ajeti i dytë: “Faleni namazin, jepeni zeqatin”. (El-Bekare: 43), kush falet dhe nuk e jep zeqatin nuk i pranohet namazi i tij.

    Ajeti i tretë:“Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu”. (Lukman: 14), kush e falënderon Allahun dhe nuk i falënderon prindërit nuk i pranohet falënderimi që ia bën Allahut”.

    Prej argumenteve të lartpërmendura na bëhet e qartë se respektimi i prindërve është detyrim i çdo njeriut, ndërsa mosrespektimi i tyre është mëkat prej mëkateve të mëdha.

    I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “A dëshironi t’ju tregoj për mëkatet më të mëdha?” . Këtë e përsëriti tri herë. Sahabët i thanë: “Po, o i Dërguar i Allahut”. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Bërja shirk (shok) Allahut dhe mosrespektimi i prindërve… “.

    Përcillet nga Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, të ketë thënë: “E kam pyetur Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, se cila vepër është më e mira. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Falja e namazit në kohën e vet”. I thashë: “Pastaj cila?”. Tha: “Respektimi i prindërve”. I thashë: “Pastaj cila?” Tha: “Xhihadi në rrugën e Allahut”.

    Në këtë hadith dhe në disa hadithe të tjera vërejmë se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i ka dhënë përparësi respektimit të prindërve ndaj xhihadit.

    Abdullah ibën Amri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcillet të ketë thënë: “Ka ardhur një person tek i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe ka kërkuar leje që të marrë pjesë në xhihad. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e pyeti: “A i ke të gjallë prindërit?”. Ai iu përgjigj: “Po”. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i tha: “Xhihadi yt është tek ata”.

    Gjithashtu, transmetohet nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Ka ardhur një person te Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i tha: “Me të vërtetë unë kam dëshirë për të luftuar (për xhihad), mirëpo nuk po kam mundësi”. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i tha: “A e ke ndonjërin prej prindërve gjallë?”. Ai tha: “Po, nënën time”. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, iu përgjigj: “Rregulloji marrëdhëniet me Allahun duke i respektuar prindërit. Nëse e bën një gjë të tillë (nëse i respekton prindërit), atëherë ti ke bërë haxhin, umren dhe xhihadin”.

    Përcillet se një njeri ka ardhur tek Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe e ka pyetur: “O i Dërguar i Allahut, unë kam dëshirë që të luftoj në rrugën e Allahut dhe kam ardhur te ti që të konsultohem.” Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i tha: “A e ke gjallë nënën?” Tha: “Po”. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i tha: “Kryeji nevojat e nënës tënde, se me të vërtetë xheneti është tek këmbët e saj”.

    Me një transmetim tjetër qëndron se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e ka pyetur: “A i ke prindërit gjallë?”. I thashë: “Po”. Atëherë i tha: “Kryeji nevojat e tyre, se me të vërtetë xheneti është nën këmbët e tyre”.

    Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, me një hadith tjetër na sqaron se mosrespektimi i prindërve është shkak i përshpejtimit të dënimit në dynja para atij në ahiret: “Allahu çdo mëkatit që e bën robi mund t’ia vonojë dënimin deri në Ditën e Kiametit, përveç mëkatit të mosrespektimit të prindërve të cilin e përshpejtojë në dynja para se t’i vjen në ahiret”.

    Kab el Ahbar, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu ia përshpejton shkatërrimin atij që është mosrespektues i prindërve që t’ia përshpejtojë atij dënimin në dynja dhe Allahu i shton në jetë atij që është respektues i prindërve, që ky i fundit të shtojë në respekt dhe në mirësi ndaj tyre dhe të shpenzojë për ta kur kanë nevojë”.

    Është pyetur Kab el Ahbar, Allahu e mëshiroftë, se çka do të thotë mosrespektim i prindit? U përgjigj: “Kur ndonjëri prej prindërve e urdhërojnë fëmijën me ndonjë urdhër, ai nuk i respekton. Kur ndonjëri prej të dyve i kërkojnë diçka, fëmija nuk ua jep dhe kur e detyrojnë me ndonjë përgjegjësi, fëmija i tradhton”.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, cili është njeriu më idenjë për sjellje të mirë ndaj tij? Ai iu përgjigj:“Nëna jote”. Tha: Pastaj cili?U përgjigj: “Nëna jote”. Tha:Pastaj? U përgjigj: “Nënajote” . Ai tha përsëri: Pastaj?Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u përgjigj:“Babai yt”.

    Ky hadith na mëson se nëna meriton bamirësi tri herë më tepër se babai, për shkak vështirësive që ka në bartjen e fëmijës në barkun e saj, pastaj lindjes, pastaj dhënies gji e tjera. Plot prej baballarëve kur e dëgjojnë këtë hadith preken se pse nënës i jepen tri hise në respekt e babës i jepet vetëm se një hise. Prindi duhet ta dijë se nëna e ka bart fëmijën në barkun e saj nëntë muaj me vështirësi të njëpasnjëshme dhe sa më tepër që është zhvilluar fetusi i ka shtuar asaj barrën dhe mundimin. Ajo e ka lindur atë me plotë dhimbje duke iu ekspozuar vdekjes. Ajo të gjitha shpresat e saj i ka të varura për këtë fëmijë në të cilin sheh lumturinë e jetës dhe bukuritë e saj. Pastaj kjo nënë i shërben fëmijës ditë e natë, e ushqen me shëndetin e saj, e çlodhë me të lodhurit e saj, qumështi i saj është ushqim për të,  kujdesi i saj është shtëpi për të, kraharori dhe duart e saj janë shtrat për të, e mbron dhe përkujdeset për fëmijën e saj, uritet për të ngopur atë, rri pa gjumë që ai të flejë. Është e mëshirshme me fëmijën e saj, përdëllimtare ndaj tij. Kur mungon ajo, fëmija atë e thërret, nëse e godet ndonjë gjë e padëshiruar te nëna e tij kërkon ndihmë. Mendon se tërë e mira burimin e ka tek ajo dhe se e keqja nuk mund ta godet kur është në përqafimin e saj ose kur ajo e vështron me syrin e saj.

    Përcillet se ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, e kishte parë një djalë që e kishte hipur nënën e vet mbi shpinë dhe po e bënte tavafin rreth Qabesë. Ky djalosh më vonë e pyeti ibën Omeri se me atë vepër të cilën e veproi a e ka larë borxhin që e ka ndaj saj? Ibën Omeri u përgjigj: “Me këtë vepër nuk ke mundur ta lash as një dhembje prej dhembjeve që i ka përjetuar gjatë shtatzënisë, mirëpo ke vepruar shumë mirë për shkak se Allahu edhe për veprat e vogla shpërblen shumë “.

    Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, me një hadith thotë: “Tre lutje janë të pranuara dhe në të nuk ka aspak dyshim: Lutja e të dëmtuarit, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindërve”.

    Ky hadith është nxitës për prindërit që t’i luten Allahut për fëmijët e tyre që Allahu t’i udhëzojë dhe t’i drejtojë dhe t’ua shtojë atyre respektimin e prindërve dhe po ashtu është hadith paralajmërues për ta që mos t’i mallkojnë fëmijët siç është traditë tek ne kur fëmija nuk e respekton prindin ai nguron që ta mallkojë fëmijën e vet dhe harron se lutja e tij pranohet dhe se ajo mund të jetë shkak që fëmija asnjëherë mos të drejtohet në rrugë të drejtë.

    Sot në shoqëritë tona vërejmë shumë dukuri negative të mosrespektimit të prindërve, dukuri të cilat nuk kanë qenë prezent më herët, mirëpo mjetet e informimit, devijimet në moral, besimi i dobët, largimi prej fesë së Allahut, etj., kanë ndikuar që ato të shtohen. Në vazhdim do t’i përmendi disa prej këtyre dukurive dhe shkaqet të cilat çojnë deri në mosrespektimin e prindërve.

    Prej dukurive të mosrespektimit të prindërve janë:

    Pikëllimi dhe bërja e prindërve për të qarë, qoftë ajo me vepër apo me thënie.

    Vrazhdësia ndaj tyre, edhe atë me ngritjen e zërit dhe thënien e fjalëve jo të hijshme, ndërsa Allahu na porosit dhe thotë: “mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti”. (El-Isra: 23)

    Zemërimi dhe irritimi prej urdhrave të tyre. Allahu na edukoi dhe na mësoi që t’i largohemi kësaj vepre: “mos u thuaj atyre as “uh!”(El-Isra: 23)

    Urdhërimi i tyre. Ka prej njerëzve të cilët i urdhërojnë nënat që t’i pastrojnë shtëpitë, t’i lajnë rrobat, të përgatitin ushqim, e kështu me radhë. Kjo vepër nuk i ka hije të veprohet posaçërisht nëse ajo është e sëmurë, plakë ose e pamundur. Nëse nëna ngrihet vetë dhe i kryen këto vepra vullnetarisht nuk ka gjë, fëmijës i takon atëherë ta falënderojë dhe të bëjë lutje për të.

    Refuzimi i ushqimit të cilin e përgatit nëna. Kjo vepër në vete i përmban dy ndalesa. E para, nënçmimi i ushqimit dhe kjo nuk lejohet. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, nuk ka nënçmuar asnjëherë asnjë lloj ushqimi, atij kur i pëlqente e hante kur nuk i pëlqente nuk e hante. Ndalesa e dytë është në atë se kjo vepër aludon në moral të ulët me nënën tënde.

    Lënia e ndihmës së tyre rreth nevojave të shtëpisë. Disa fëmijë këtë vepër e shohin si mangësi në burrëri dhe vepër jo të lavdëruar. Disa vajza i shohin nënat e tyre se si mundohen duke i kryer punët e shtëpisë dhe asnjëherë nuk ngrihen që t’i ndihmojnë, madje ka prej tyre që flasin në telefon me shoqet e tyre me orë të tëra dhe aspak nuk u shkon mendja t’i dalin në krah nënave të tyre.

    Mosmarrja dhe mosrespektimi i mendimit të prin­dërve. Ka disa fëmijë të cilët nuk këshillohen me prindërit për çështjet e tyre kryesore në jetë, si mar­tesa, fejesa, shkollimi, etj. I vëren se si këshillohen me shokët e tyre, me të afërmit të tyre, me gratë e tyre dhe harrojnë se prindërit e tyre e kanë kaluar këtë periudhë të jetës më herët se ata dhe kanë përvojë të mjaftueshme që ta këshillojnë fëmijën e tyre për atë problem.

    Nxitja e problemeve para prindërve, edhe atë qoftë me vëllezërit, me gruan, me fëmijët apo me dikë tjetër.

    Qortimi i prindërve para njerëzve dhe përmendja e mangësive të tyre. Ka prej fëmijëve kur dështon në ndonjë çështje, si në shkollë për shembull, i akuzon prindërit se ata janë fajtor për dështimin e tij në jetë dhe se ata nuk i kanë kushtuar rëndësi të veçantë pro­blemeve të tij, e kështu me radhë. Është e vërtetë se ndonjëherë prindërit mund të jenë shkaktar, mirëpo jo gjithmonë. Prandaj njeriu gabimet e veta duhet t’ia adresojë vetvetes e jo të tjerëve dhe të tentojë që të kërkojë ndihmë prej prindërve të vet që ata t’i ndih­mojnë dhe ta këshillojnë me atë çka është më mirë për të.

    Mallkimi i prindërve dhe sharja e tyre. Kjo veprohet në mënyrë direkte ose në mënyrë indirekte duke ia sharë ndokujt tjetër prindin e në fakt me këtë vepër e shanë prindin e vet. Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Prej mëkateve të mëdha është sharja e njeriut prindërit e vet”. Tha njëri prej atyre që ishin prezent: “O i Dërguar i Allahut, a ka njeri i cili e shan prindin e vet?”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selem, iu përgjigj: “Po. Kur njeriu e shan babën e ndokujt e ka sharë babën e vet dhe kur njeriu e shan nënën e ndokujt e ka sharë nënën e vet”.

    Humbja e autoritetit të prindërve. Ka prej fëmijëve të cilët ia humbin autoritetin prindërve duke ua cekur mangësitë, duke i treguar të tjerëve për të metat e prin­dërve të tyre në moral, e kështu me rrallë dhe kjo padyshim se është prej mosrespektimit të prindërve.

    Kërkesat e tepërta prej anës së fëmijëve. Ka fëmijë të ndikuar prej rrethit ku jetojnë i kërkojnë prindërve të tyre gjëra të ndryshme, si blerjen e veturës, blerjen e shtëpisë, martesën e tij, e kështu me radhë. Prindi i shkretë ndoshta nuk ka mundësi që t’ia plotësojë kër­kesat e tij, prandaj detyrohet që të punojë orë shtesë vetëm e vetëm ta kënaq të birin e vet.

    Dhënia përparësi gruas para prindërve. Ka prej njerëzve të cilët i nënshtrohen urdhrit të gruas, kurse urdhrat dhe nevojat e prindërve i anashkalojnë. Po ashtu ka prej tyre që ia shfaqin dashurinë gruas para prindërve, a prindërit e mjerë asnjëherë ndoshta nuk dëgjojnë prej fëmijës së tyre fjalë të ëmbla se sa i do ata dhe sa i respekton ata.

    Të distancuarit prej tyre dhe mbarja e përmendjes së prejardhjes së tyre. Kjo është një prej dukurive më ne­gative të mosrespektimit të prindërve. Disa fëmijëve kur i rritet pozita e tyre shoqërore, bëhen drejtorë apo ministra apo arrin deri në ndonjë pozitë të lartë, turpërohen prej përmendjes së prindërve të tyre e veçanërisht nëse ata janë të paarsimuar. Kjo aludon në mendje të sëmurë, moral të devijuar dhe besim të dobësuar. Harron i mjeri se ai prind të cilin i vjen turp ta përmend ka punuar ditë e natë që ta arsimon, ha­rron i mjeri se nëna e tij ka qenë ajo e cila ia ka larë rrobat, e ka ushqyer, etj., vetëm se ai të arrin deri në këtë pozitë të cilën mendon se e ka arrit me djersët e veta dhe pa ndihmën e askujt.

    Vendosja e tyre në shtëpi pleqsh. Me këtë vepër arrihet kulmi i çdo të keqes dhe ai i cili e bën këtë vepër pa dyshim se kurrë nuk do të sheh mirësi. Sot numri i këtyre shtëpive rritet në mesin tonë si rezultat i kërkesave të mëdha që i bëjnë fëmijët për prindërit e tyre, mirëpo mos të harrojnë se si veprojnë sot me prin­din ashtu do të veprojë fëmija me të kur të plaket.

    Rrahja e tyre, largimi prej tyre në pleqëri dhe shpresa për vdekjen e tyre. Ka prej fëmijëve që i rrahin prindërit e tyre dhe ka prej atyre që mezi presin të vdesin që t’ia marrin pasurinë ose të lirohen prej tyre nëse janë të sëmurë apo të varfër.

    Këto ishin disa prej dukurive më kryesore të cilat janë të shpërndara në shoqërinë tonë dhe në vazhdim do t’i përmendim edhe disa prej shkaqeve që ndikojnë në mosrespektimin e prindërve.

    Shkaqet e mosrespektimit të prindërve janë të shumta, prej saj:

    Injoranca dhe mosdija. Injoranca është sëmundje vrasëse, ndërsa injoranti është armik i vetvetes. Njeriu kur e injoron realitetin e respektimit të prindërve, kur e injoron shpërblimin dhe dënimin e tij në dynja dhe ahiret, shumë lehtë mund të bie në mëkatin e mos­respektimit të prindërve.

    Edukata e keqe dhe jo e drejtë. Prindërit kur nuk i edukojnë fëmijët e tyre në devotshmëri, mirësi dhe respekt, pa dyshim se fëmijët më vonë do të rebelohen ndaj prindërve të tij.

    Kundërshtimi në vepra. Ndodh që prindi fëmijën e tij ta merr ta mësojë se duhet të falet, nuk duhet të gënjejë, të jetë i drejtë, e kështu me radhë, mirëpo ai vet si prind nuk i vepron këto vepra. Kur fëmija sheh se prindi nuk falet ndërsa ai e nxit atë që të falet, kur e vëren se gënjen, ndërsa nxit në fisnikëri dhe në besnikëri, mos të prese se ai fëmijë do ta dëgjon dhe respekton urdhrin dhe këshillën e tij.

    Shoqëria e keqe e fëmijëve. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Njeriu është në fenë e shokut te vet, pra kini kujdes cilin e merrni për shok”. Shoqëria është një ndër shkaqet kryesore që ta shkatërron edukatën e fëmijës dhe për këtë shkak prindi duhet të jetë i kujdesshëm se me kë shoqërohet fëmija i tij.

    Mosrespektimi i prindit ndaj prindërve të vet. Zakonisht kjo është një prej shkaqeve kryesore të mosrespektimit të prindërve. Kur fëmija e sheh prin­din se nuk i respekton prindërit e vet, atëherë edhe ai kur ta arrin ata pleqërinë nuk do t’i respektojë dhe po ashtu nuk duhet harruar edhe faktin se shpërblimi vjen sipas veprës që e vepron.

    Dallimi mes fëmijëve. Njeriu nuk mundet që t’i dojë fëmijët në masë të njëjtë dhe kjo nuk bie në kundërshtim me fenë e Allahut. Shembull më të mirë e kemi Jakubin, alejhi selam, i cili e donte Jusufin, alejhi selam, më së shumti se sa fëmijët e tjerë. Problemi ndodh atëherë kur prindi nuk ia jep të gjithë fëmijëve të vet të drejtat proporcionalisht dhe e favorizon një­rin para tjetrit, kjo nuk lejohet në fenë e Allahut dhe kjo është një prej shkaqeve që fëmija më vonë të rebelohet kundër prindërve të tij.

    – Morali i keq i gruas. Allahu mund ta sprovojë njeriun me ndonjë grua e cila posedon moral të keq, nuk i frikohet Allahut, nuk i respekton të drejtat dhe e nxit burrin që të rebelohet kundër prindërve, apo t’i nxjerr prej shtëpisë, apo mos t’i respektojë, e kështu me radhë.

    Mospasja e përvojës si prind. Disa fëmijë nuk e kuptojnë realitetin se çka do të thotë të jesh prind. Për këtë shkak i vëren se nuk u intereson për ndjenjat e prindit dhe mërzitë e tij, natën vonohen apo ndoshta nuk u tregojnë aspak se ku shkojnë, ndërsa prindi i shkretë i pret tanë natën deri sa të kthehen dhe t’i sheh se janë mirë. Mirëpo kur bëhen ata vetë prindër atëherë i vërejnë gabimet dhe gjurmët e gabimeve të tyre tek fëmijët e tyre.

    Këto ishin disa prej shkaqeve të mosrespektimit të prindërve.

    – Respekti i prindit dhe bamirësia është edukatë e Pejgamberit tonë, alejhi salatu ue selam, dhe pejgam­berëve tjerë para tij. Ne si muslimanë duhet t’i pasojmë ata dhe të marrim shembull prej tyre, e jo prej artis­tëve, këngëtarëve, etj., të cilët janë njerëz me moral më të shëmtuar dhe degjeneruar.

    Ne kemi shembull në Nuhin, alejhi selam, i cili bënte lutje dhe kërkonte falje për ta. Allahu, azze ue xhel, e përmendi në Kur’an shembullin e tij dhe tha: “O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret”. (En-Nuh: 28)

    Po ashtu kemi shembull edhe në Ibrahimin, mikun e Allahut, babanë e pejgamberëve, prijësin e besimdrej­tëve, kur i drejtohet babait të vet me fjalë të buta dhe të ëmbla edhe pse ai ishte i pafe. “O babai im” i thoshte atij duke e thirr që vetëm Allahun ta adhurojë dhe ta lë shirkun. Pasi që ai nuk pranoi dhe iu kërcënua me rrahje e persekutim, Ibrahimi nuk shtoi më tepër se fjalën: “Qofsh i lirë prej meje! Unë do ta lus zotin tim për të falur ty”. (Merjem: 47)

    Mos ta harrojmë Ismailin të birin e Ibrahimit, alejhi selam, shembullin më të mirë për respekt të prindërve në historinë e njerëzimit. Kur i tha baba i vet: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj”. (Es-Safat: 102), Ismaili iu përgjigj: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durue­shëm!”.(Es-Safat: 102)

    Allahu po ashtu e lavdëroi Jahja ibën Zekerijan kur tha për të: “Edhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte kryelartë e i padëgjueshëm”. (Merjem: 14)

    Dhe po ashtu e lavdëroi edhe Isain, alejhi selam, kur për ta tha: “Dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgju­eshëm”.(Merjem: 32)

    Allahu në këtë kuptim regjistroi shembuj të shumtë në Librin e tij.

    Kështu ishin edhe selefi i këtij Ummeti, njerëzit më të kujdesshëm në bamirësinë ndaj prindërve. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur dëshironte të dalë prej shtëpie ndalej në prag të derës dhe thoshte: “Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ty, oj nëna ime”. Ajo i thoshte: “Edhe mbi ty qoftë paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut, o biri im”. Ai përsëri thoshte: “Allahu të mëshiroftë ashtu si je kujdesur për mua kur isha i vogël”. Ajo ia kthente: “Allahu të mëshiroftë për bamirësinë tënde ndaj meje pasi që u rrite”.

    Një ditë nëna e Abdullah ibën Mesudit kërkoi ujë prej tij. Ai shkoi për të sjellë ujë dhe pasi kthehet e gjeti nënën duke fjetur. U ul pranë saj dhe priti deri në mëngjes me ujë në dorë. Nuk e zgjoi prej gjumi për mos ta penguar e as që u kthye sepse ajo mund të zgjohej, të kërkoj ujë dhe të mos gjente. Vini re rastit të Hasen Temimit i cili deshi të mbys një akrep, e pasi që nuk arriti të mbys, akrepi u fut në një vrimë në shtëpinë e tij. Vuri dorën në vrimë dhe e mbylli atë, mirëpo e kafshoi atë akrepi. I tha dikush atij: “Pse veprove ashtu?”. Ai u përgjigj: “U frikova që mos të dalë nga vrima dhe ta kafshojë nënën time”.

    Ibën Aun el Muzenin, Allahu e mëshiroftë, e thirri një ditë nëna e tij e ky iu përgjigj me zë të lartë për ta dëgjuar ajo. Ai u pendua për këtë gjest dhe në shenjë pendimi liroi dy robër.

    Për bamirësinë e selefit ndaj nënës ka pasqyrime të shkëlqyera e raste të shumta që nuk mund të për­menden të gjitha në këtë vend, por mund vetëm të jepet shenjë për mirëbërësin e tyre të madhe duke përmendë disa raste. Po qe se shikojmë me sy vësh­trues në gjendjen tonë do të shohim mangësi të madhe në sjelljen me baballarët dhe nënat tona e ndoshta ndonjëri edhe nuk i respekton ata, Allahu na mbrojttë.

    E lus Allahun me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta t’i mëshirojë prindërit tanë, t’ua falë atyre mëkatet dhe prej tyre që janë të gjallë Allahu i mëshiroftë, i shëroftë dhe i udhëzoftë. Ndërsa prej atyre që janë të vdekur Allahu i mëshiroftë, varrin ua ndriçoftë dhe në Xhenet na bashkoftë.

    Përktheu dhe përshtati: Irfan JAHIU

  • MOSRESPEKTI I PRINDËRIT NDAJ FËMIJËS

    MOSRESPEKTI I PRINDËRIT NDAJ FËMIJËS

    Çdo ditë dëgjojmë dhe shohim pamje dhe forma të ndryshme të mosrespektimit të prindërve nga ana e fëmijëve të tyre, kështu që në anën tjetër çdo herë rritet presioni ynë ndaj tyre, dhe i detyrojmë t’i respektojnë urdhëresat, detyrat dhe ndalesat, e në rast se nuk i respektojnë atëherë i etiketojmë si mosrespek­tues të prindërve. Po, Islami i ka urdhëruar fëmijët në respektimin e prindërve, dhe i detyroi atyre sjelljen e mirë ndaj tyre, dhe i ndaloi, bile e bëri mëkat të madh, mungesën e respektit ndaj tyre. Mirëpo, në anën tjetër Islami na urdhëroi me një mirësi tjetër, e ajo është mirësjellja jonë ndaj fëmijëve tanë dhe na ndaloi neve prindërve mosrespektimin e të drejtave të tyre.

    Përcillet prej një gjurme, se një njeri së bashku me të birin shkuan te Omer ibën Hatabi, radijallahu anhu, dhe i tha: “Biri im s’më respekton!” – Iu drejtua Omeri djaloshit: “A s’i druhesh Allahut për shkak mungesës së respektit ndaj prindit tënd?” – Djaloshi tha: “O prijësi i muslimanëve, a ka prindi ndaj fëmijës së tij detyrime?” – Iu përgjigj Omeri, radijallahu anhu: “Po, ai detyrohet t’ia zgjedh fëmijës nënën fisnike, ta emërtojë me emër të bukur, dhe t’ia mësojë Kur’anin.” – Djaloshi tha: “Pasha Allahun, nënën time nuk e ka zgjedhur fisnike, por ajo është Sindijeh, e ka blerë me katërqind dërhem, pastaj s’më ka emërtuar me emër të bukur, më quajti Xhual (bubu­rrec), dhe s’më mësoi prej Kur’anit asnjë ajet.” – U kthye Omeri kah prindi i tij, dhe i tha: “Ti thua i biri s’më respekton, mirëpo ti nuk e respektove atë para se të respektojë ai ty.”

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush e negli­zhon edukimin e fëmijës së tij atë çka i bën dobi, vetëm se i ka bërë padrejtësi. Shumica e fëmijëve kanë devijuar në besim dhe moral, s’i rezultat i neglizhencës së prindërve për t’ua mësuar atyre fenë dhe rregullat e saj. Prandaj, i humbën dhe i shkatërruan kur ishin të vegjël, dhe kështu s’i bënë dobi as vetes së tyre e as prindërve kur u rritën të mëdhenj.”

    Prandaj, o ti prind, mos përshpejto me qortim kur të rikujtoj se ke detyrime ndaj fëmijës tënd. Në rast se e neglizhojmë këtë anë, atëherë fëmijët s’janë fajtorë pse në mesin e tyre ekzistojnë të tillë që nuk respek­tojnë, devijojnë, inatosen, urrejnë, dhe këto veti s’i vërejmë vetëm se atëherë kur paraqiten. Shumë familje dhe shoqëri i mundon ky problem, ndërsa çdo prind dëshiron ta sheh fëmijën e vet në rrugë të drejtë, dhe me moral të mirë, por s’i ta arrimë këtë gradë kur ne i neglizhojmë fëmijët!

    Shumica e shtëpive tona s’i edukojnë fëmijët me elementet themelore të edukatës. Përcjellja, vështrimi, pajtimi, butësia, besa, shoqërimi, dhënia e shanseve, dhe disa prej kuptimeve themelore edukatore përafër­sisht s’ekzistojnë tek ne.

    Thotë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem,: “Çdonjëri prej jush është bari (kujdestar) dhe çdonjëri është përgjegjës për kopenë e tij. Imami është bari dhe përgjegjës për kopenë e tij. Burri është bari për shtëpinë e tij dhe përgjegjës për kopenë e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe përgjegjëse për kopenë e saj.” (Buhari)

    Poashtu, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u thonte shokëve të tij: “Kthehuni te familjet e juaja, jetoni me ta, mësoni ata, urdhëroni ata.” (Buhari)

    Babai shumicën e kohës është i preokupuar me punë dhe sjelljen e furnizimit për shtëpi, prandaj kur kthehet në shtëpi nuk sheh para tij vetëm se mangësi dhe s’kërkon gjë tjetër vetëm se disa orë gjumë që ta rehatojë trupin e tij prej lodhjes.

    E ëma tërë ditën mundohet me shpirt t’i plotësojë dëshirat e fëmijëve dhe t’i ushqejë me ushqim të mirë që të formojnë trupa të shëndoshë, dhe e harron ushqimin kryesor, ushqimin e besimit i cili duhet të ngulitet në zemrat e fëmijëve prej fëmijërisë.

    Prandaj, detyrohemi t’ua mësojmë fëmijëve tanë vetitë kryesore, madje duke filluar prej dashurisë ndaj Allahut, pastaj madhërimin, respektimin e Tij, shpresën tek Ai, frikën prej Tij, dhe mbështetjen tek Ai.

    Pastaj, detyrohemi t’ua mësojmë disa parime të sjelljes dhe moralit, ndërsa mësimi i tyre në fëmijëri e përforcon diturinë dhe njohjen. Si p.sh.: përdorimi i disa fjalëve të shkëputura prej haditheve që flasin për moral, edukatë dhe etikë, pastaj sjellja e mirë, respekti, dhe nderimi i të moshuarve, pastaj etikën e të folurit, s’i të folurit me zë të ulët dhe mosndërprerja e folësit, pastaj mësimi i disa çështjeve rreth adhurimeve dhe dispozitave, e në krye të saj lidhjen imanore me Allahun azze ue xhel.

    Formimi i një fëmije të shëndoshë s’do të thotë vetëm ndërtimi i trupit të shëndoshë, por pa tjetër duhet edhe ndërtimi i zemrës së shëndosh. Formimi i një zemre që e adhuron dhe i nënshtrohet Allahut, ndikon edhe në formimin e një trupi të shëndosh. Thotë Allahu, azze ue xhel: Cili është më i mirë, ai që themelet e godinës së vet i vë në përkushtimin ndaj Allahut dhe në kënaqësinë e Tij apo ai që themelet e godinës së tij i vë në bregun e gërryer dhe që rrokulliset me të në zjarrin e Xhehenemit” (Et-Teube: 109)

    Po ashtu prej elementeve kryesore që ndikojnë në ndërtimin e një fëmije të mirë, është ngulitja e dashurisë për namaz në zemrën e tij prej fëmijërisë. Kjo është edhe porosia e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, që prej moshës shtatë vjeçare t’ia mësojmë fëmijëve namazin, kurse në moshën dhjetë vjeçare t’i dënojmë me një dënim të lehtë kur e neglizhojnë atë, dhe ta kuptojnë se namazi s’është thjesht një detyrim që detyrohet ta kryejnë, por është një gjuhë kontakti mes tyre dhe Allahut azze ue xhel. S’duhet ta harrojmë faktin se fëmija do të përkujdeset për namazin, vetëm se atëherë kur e sheh se prindërit e tij përkujdesen për kryerjen e namazit. Ai gjithmonë i pason prindërit e tij dhe në rast se ata s’janë shëmbëlltyrë për fëmijën e tyre, atëherë prej ku do të marr mësim ai fëmijë?

    Imam Gazali, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk rrënjoset morali fetar në shpirt, derisa të mësohet shpirti të jetojë me vepra të mira dhe të largohet prej të këqijave, të jetë këmbëngulës dhe i vazhdueshëm në kryerjen e veprave të mira, e t’i urrejë veprat e këqija dhe të ndjejë dhimbje kur i vepron. Morali i mirë fitohet me vepra të mira, me shikimin e njerëzve të mirë dhe shoqërimin e tyre, se ata janë me të vërtetë shoqërues të mirë dhe përmirësues në tokë. Baza e edukimit të fëmijës është ruajtja e tij prej shokëve të këqij. Çdo fëmijë lind me natyrshmëri të pastër, mirëpo ndikimi i rrethit dhe edukata, e krasitin moralin e tij. Çdo herë kur të paraqitet tek fëmija morali i mirë dhe vepra e mirë, duhet që ta shpërblejmë me një dhuratë që e gëzon dhe ta lavdërojmë tek njerëzit. Nëse paraqitet tek ai ndonjë vepër e keqe, së pari duhet ta neglizhojmë, por nëse paraqitet prapë qortohet fshehurazi, duke mos e tepruar me qortim çdo herë. Kjo ia lehtëson atij akuzat dhe nuk zemërohet. Është e pëlqyeshme që tek fëmija të mbetet frikërespekti prej prindit se do ta ndëshkojë.”

    Po ashtu, disa fëmijë vuajnë prej keqtrajtimeve të rënda nga ana e prindërve të tyre. Disa prindër i ndëshkojnë fëmijët e tyre me rrahje të fortë me shkop si dhe kemi dëgjuar se disa nëna i djegin fëmijët e tyre me pika qiri.

    Këta fëmijë s’i harrojnë torturat e prindërve, bile edhe e ruajnë fortë në mendjen e tyre, që më vonë bëhet shkaktar i sjelljes së tyre armiqësore ndaj tjerëve.

    Po ashtu, ndonjëherë atyre u shkaktohet gjendje e keqe shpirtërore, dhe s’i rezultat i saj u ekspozohen problemeve të ndryshme, siç është urinimi i padë­shiruar, që vjen s’i pasojë e përdorimit të forcës së tepërt për çdo gabim. Ndoshta mund të ndodh që fëmija të fillojë të gënjen në shumicën e rasteve për shkak frikës së ndëshkimit.

    Një shkrimtar perëndimor thotë: “Dëgjimi i plotë i tij dhe mos ndërprerja gjatë të folurit është hyrje e vërtetë për kthimin e tij prej gabimi pa marrë parasysh se sa inat posedon. Edhe njeriu më i paedukatë dhe i vrazhdët në fjalim, s’mundet e të mos ndikohet prej një folësi durimtar, të butë, i cili e dëgjon folësin kur irritohet dhe zemërohet.”

    Ka raste kur prindi e emërton fëmijën e tij me emër të bukur, por s’e thërret me të. Kur gabon e thërret me disa emra që ndikojnë negativisht në gjendjen shpirtërore të fëmijës, si p.sh: “I dështuar”,  “I zhgënjy­er”, “I humbur”. Këto thirrje i dobësojnë ambiciet e tij, kurse ne jemi të detyruar t’i përkrahim, t’i nxisim, t’i lavdërojmë, e sidomos para shokëve të tij dhe para moshatarëve të tij, dhe kjo ndikon pozitivisht në shpirtrat e tyre, i sjell lumturi dhe dëshirë për shtimin e veprave të mira.

    Po ashtu, vërejmë edhe ndikime ideologjike që tenton prindi t’ia imponojë fëmijës. Shembull, prindi është mjek dhe dëshiron që fëmija i tij të bëhet mjek si ai, gjë që e detyron fëmijën të planifikojë plane të caktuara, që ndoshta s’janë me plot dëshirën e tij. Prandaj, prindi duhet t’i respektojë aftësitë e tij, edhe në qoftë se janë të dobëta. Ndoshta fëmija është i dobët në mësime, mirëpo posedon talent për ndonjë gjë tjetër. Kështu që prindi duhet t’i vështrojë aftësitë dhe dhuntitë e fëmijës, që ta dijë se çka është më e përsosur për fëmijën e tij, dhe do ta vërejë se do të ketë rezultat hamendas.

    Sjellja e burrit më gruan e tij ndikon shumë në edukatën e fëmijëve. Vërejmë se s’i burri tallet më gruan e tij, e nënçmon para tyre, dhe normalisht se ajo do ta humb autoritetin e saj para fëmijëve. Ata nuk do ta dëgjojnë fjalën e saj dhe këshillën e saj, prandaj duhet që burri ta respektojë gruan e tij, e sidomos para fëmijëve që ata të marrin mësim se s’i duhet të jetë mirësjellja mes dy bashkëshortëve.

    Ndodh ndonjëherë që prindi për shkak problemeve joshtëpiake që e preokupojnë, të irritohet më tepër se sa duhet dhe të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e tij me fëmijët. Prandaj, prindi është mirë ta pakësojë zemërimin e tij duke kërkuar ndihmë prej Allahut azze ue xhel duke kërkuar falje dhe istigfar, apo duke marrë abdes kur është në gjendje të irrituar.

    S’mund të realizojmë një shoqëri të përkryer dhe njerëz të përkryer që i respektojnë urdhëresat e Allahut, vetëm se duke e forcuar lidhjen e prindërve me Allahun azze ue xhel. Devotshmëria e prindërve është s’i mburojë preventive për fëmijët. Ajo është një prej shkaqeve që e lehtëson shpëtimin e ardhmërisë së fëmijëve, ku thotë Allahu, azze ue xhel: “ Le të druajnë nëse ata lënë pas vetes fëmijë të mitur, duke u brengosur për ta, le të kenë frikë Allahun dhe le të flasin drejt.” (En-Nisa: 9)

    Umejmeh El Xhabir

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • GRUAJA, FAMILJA DHE EKUILIBRI I RËNDË

    GRUAJA, FAMILJA DHE EKUILIBRI I RËNDË

    Kur i kthehem kujtesës së mëhershme, më vijnë ndërmend kujtimet e mia që i kisha rreth pamjes së një burri, të cilin e parafytyroja në ndërgjegjen time dhe doja të ishte bashkëshorti im. Dëshiroja të ishte me veti të mira dhe cilësi të larta, si babai im, i cili ishte burrë në plot kuptimin e fjalës. Por, kur e bëj një kra­hasim mes burrit të asaj kohe dhe atij të sotmes, vërej dallime të mëdha dhe të qarta, që padyshim s’janë në favor të burrit të sotëm në shumicën e rasteve.

    Pavarësisht nga ajo se ata s’ishin të ditur dhe nuk zotëronin diploma universitare, në krahasim me burrat e sotëm, shumica e tyre ishin të edukuar dhe me vetëdije të lartë rreth çështjeve fetare dhe asaj jetësore, ndoshta edhe më shumë se ata çka zotëronin sot diploma të larta.

    Deri dje burri ishte ai i cili e edukonte familjen, e mbronte prej çdo mendimi të huaj joislam që e rrezikon atë personalisht apo familjen e tij. Fjala e tij ishte e respektuar dhe e dëgjuar. Familja e nderonte dhe respektonte me plot dëshirë dhe vullnet. Çdo mosmarrëveshje në familje e zgjidhte me mend dhe urtësi. Marrëdhëniet dhe sjelljet brenda familjes dhe jashtë saj, i mbante në dorën e tij, dhe s’lejonte t’i ndodh asgjë askujt prej anëtarëve të familjes. Gruas ia mbronte pozitën e saj, ishte i kujdesshëm për fëmijët e tij dhe i gëzonin të gjitha të drejtat e tyre familjare dhe personale.

    Por, nëse kthehemi dhe i shikojmë shumicën e bu­rrave të sotëm, do të vërejmë çudira. Marrëdhëniet e burrit me gruan në shumicën e shtëpive, kanë marr një pasqyrë trishtuese, plotësisht larg asaj pasqyre që duhet të jenë marrëdhëniet bashkëshortore.

    Zakonisht marrëdhëniet bashkëshortore ndahen në tre lloje:

    Lloji i parë: Burrë sundues dhe dominues mbi gruan e tij

    Në këtë rast burri është ai i cili sundon mbi çdo gjë, duke i përbuz të drejtat dhe ndjenjat e të gjithëve, edhe atë duke filluar prej gruas së tij. Shpeshherë tenton ta dobësojë personalitetin e saj, t’i neglizhojë të drejtat e saj, fisnikërinë e saj, natyrshmërinë e saj, e pastaj e ofron për familjen e tij si kafshatë të lehtë të nën­çmuar.

    Ka raste të shumta dhe të llojllojshme, ku gratë ankohen nga sjellja e keqe e burrave të tyre. Ja se si na rrëfen njëra prej tyre dhe thotë:

    Jam një zonjë dyzetvjeçare dhe e martuar prej moshës njëzet e dyvjeçare. Kam katër fëmijë, që janë në nivel të lartë të moralit, fesë dhe predominimit shkollor dhe atij sportiv. Kam një problem në jetë, e ai është burri im. Problemet mes nesh filluan pasi që u martuam, dhe shkaktar kryesor është familja e tij. Ata e nxisin kundër mua duke shpifur gjëra që s’i bëj, dhe ai i beson, kurse mua s’më dëgjon. Tani ka filluar të më bërtas dhe qorton haptazi pa asnjë shkak, dhe të më nënçmon para vajzave tona, të cilat janë para martesës.”

    Na rrëfen një zonjë tjetër e cila thotë:

    “Jam një zonjë e martuar që shtatë vite e gjysmë dhe i kam dy fëmijë. Pavarësisht se i kalova ato vite në martesë, dëshiroj të ndahem prej burrit, për shkak problemeve që mi shkakton. Faktor kryesor për problemet tona është familja e tij, e nxisin me të madhe kundër mua, e ai i respekton dhe i dëgjon shumë, pavarësisht se a e kanë të drejtë apo jo. Më nënçmon para tyre dhe atyre ua lejon të më nënçmojnë. Bëj durim sa mundem dhe e rikujtoj veten se unë veproj me ato vetëm për hir të Allahut. Tani jetoj tek ai vetëm s’i trup pa shpirt, ia plotësoj të gjitha dëshirat dhe i gëzon të gjitha drejtat bashkëshortore, por tani atë e urrej shumë për shkak se jetën ma shkatërroi. Tani jam e sëmurë, me dep­resion të thellë dhe mendoj vetëm për vdekje”.

    Këto shembuj e shumë të tjerë ndodhin si rezultat i personalitetit të dobët të burrit para familjes së tij dhe mosrespektimit të gruas duke e përdorur forcën si mjet për sundim. Gabimi i tij në këtë rast vjen si shkak i padijes për menaxhimin e jetës së tij të re, dhe mos­veprimi i tij me baraspeshë mes të drejtave familjare që duhet t’i plotësojë, dhe mes lidhjeve farefisnore, mirësisë ndaj tyre, përfitimin e dashurisë dhe këna­qësisë së tyre, dhe mes të drejtave të gruas së tij mo­rale, materiale dhe mbrojtjen e natyrshmërisë dhe fisnikërisë së saj.

    Harron se është përgjegjës për gruan e tij para Allahut azze ue xhel me përgjegjësi të plotë, dhe harron porosinë e krijesës më të mirë dhe më të drejtë Muha­medit, sal-lallahu alejhi ue selem, i cili në Haxhin e Lamtumirës, na porositë të kujdesemi për gratë, qof­shin vajza, gra të martuara apo nëna: “O njerëz! Kijeni frikë Allahun dhe silluni mirë me gratë, sepse ju i keni marrë ato amanet nga Allahu dhe me fjalën e Allahut ju është lejuar t’i keni gra”.

    Prandaj, o ti burrë sundues dhe i padrejtë: Gruaja jote është robëreshë e dobët që babai i saj e ka lënë ama­net tek ti dhe Zoti yt do t’i llogarisë sjelljet e këqija dhe të liga ndaj saj. Vepra jote është shumë larg mo­ralit të lartë dhe besimit të kulluar. Transmeton Ebu Hurejra prej Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, se ka thënë: “Besimtari me besim më të plotë është ai i cili ka moral më të mirë, dhe më i miri prej jush është ai i cili është i sjellshëm me gratë e tij dhe unë jam më i sjellshmi me familjen time”.

    Për gruan në këtë rast s’mbetet tjetër vetëm se të bëj sabër dhe të kërkojë ndihmë prej Allahu, azze ue xhel, së pari dhe së fundi. Pastaj, le të kërkon çdo rrugë e cila e drejton në përmirësimin e gjendjes së burrit të saj, të sillet mirë me të, të tenton ta rikujton se Allahu e mbikëqyrë çdo sjellje të tij dhe të bëj dua vazhdi­misht që Allahu ta udhëzojë dhe ta përmirësojë gjen­djen e tij.

    Nëse dështon çdo mund i saj dhe burri i saj nuk drejtohet, atëherë le të kapet për litarin e Allahut dhe të kërkojë pandërprerë ndihmë prej Tij, dhe të rikujtojë se për durimtarët Allahu ka premtuar shpërblime pa llogari. Kjo do t’ia lehtësojë asaj gjendjen dhe dhimbjen në shpirt.

    Lloji i dytë: Personalitet i dobët me gruan e tij:

    Ky lloj është krejtësisht i kundërt me llojin parë. Në llojin e parë e vërejtëm se si burri e flijon gruan për familjen e tij, injorancën dhe epshet e tij, ndërsa në llojin e dytë do të shohim një burrë që e flijon familjen dhe jetën për gruan e tij.

    Ky lloj i burrave ia dhuron gruas jetën e tij, men­djen e tij, jetën e tij, i nënshtrohet asaj tërësisht, i respekton urdhëresat e saj dhe i përgjigjet të gjitha dëshirave dhe nevojave të saja. E flijon për atë çdo send, familjen, fisnikërinë, burrninë, dëshirat e tij, dhe krejt botën çka e rrethon. E harron porosinë e Zotit të tij, që t’i respekton prindërit dhe të sillet mirë me ata. E harron flijimin e prindërve të tij që ta edukojnë, ta rrisin, e ta shkollojnë, vetëm se për hir të gruas.

    Na rrëfen një nënë, dhe thotë:

    “Jam nënë e një djali, që e rrita me shumë vështirësi. Babai i tij ndërroi jetë herët dhe unë e sëmurë tentoja t’ia plotësoj të gjitha kushtet. Sot jetoj së bashku me familjen e tij, por më detyron që të jetoj e vetme në dhomë, të ha vetëm që mos t’i pengoj atij dhe gruas së tij, s’më lejon të largohem prej shtëpie vetëm se një orë në ditë edhe atë duke më shoqëruar shërbëtorja. Jetoj e vetmuar dhe çdo moment e pres vdekjen. Më duket se jam e burgosur dhe e kaloj kohën e dënimit në regjim izolimi, ndërsa biri im është ai i cili më dënoi dhe më burgosi”.

    Na rrëfen një baba, dhe thotë:

    “Jam një plak i cili i kam të kaluar të shtatëdhjetat. Kam tre fëmijë, dhe asnjëri s’më pranon të jetoj së bashku me familjet e tyre. I propozova që të jetoj në dhomë plo­tësuese, vetëm që të jem afër atyre dhe të kujdesen për mua, se para do kohe fillova ta humbas edhe shikimin. Të gjithë e refuzuan kërkesën time dhe më thanë se do të më vendosin në shtëpi pleqsh (azil)”.

    Lloji i tretë: Burrë i drejtë, i mençur, i eku­ilibruar:

    Ky është lloji i cili sot shumë rrallë mundet të vërehet. Burri i këtij lloji është ai i cili frikohet Allahut azze ue xhel, i frikohet dënimit të Tij dhe urren ta takon Zotin e tij duke qenë i padrejtë ndaj dy palëve. Me urtësinë e tij, me mençurinë e tij dhe me vetëdije të plotë mundohet t’ia plotëson të drejtat të gjithëve. Mundohet të kuptojë dhe të respektojë nevojën e çdokujt. Kupton nevojat familjare dhe të drejtat e tyre, i përgjigjet kërkesave të tyre, i dëgjon këshillat e tyre, dhe është i ekuilibruar mes nevojave të tija personale dhe atyre familjare dhe nevojave të gruas dhe fëmijëve të tij. Gruan e tij e kupton si shok jete, e respekton si krijesë të dashur, e respekton natyrshmërinë e saj, fisnikërinë e saj, dhe në fund s’i harron detyrat e tij ndaj prindërve dhe familjes.

    Prezenca e këtij lloji të burrit është shembull i asaj kohe të bukur, kur çdo grua ëndërronte një bashkëshort të tillë dhe një prind për fëmijët e saj.

    Autor: Selva El Magribi

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • LLOGARIA ËSHTË E PAGUAR PARAPRAKISHT

    LLOGARIA ËSHTË E PAGUAR PARAPRAKISHT

    E bija dhjetëvjeçare, me sy që shkëlqenin nga gjallëria dhe mençuria, hyri në dhomën e nënës së saj dhe e zgjati dorën mbi tavolinë, e la mbi të një letër të shkruar nga vetë ajo.

    Nëna shkoi ta lexojë se çfarë shkroi e bija me shkrimin e saj të bukur. E mori letrën dhe në të shkru­ante:

    Fatura e llogarisë:

    – Pastrimi i dhomës sime kushton një dinar.

    – Pastrimi i enëve të shtëpisë kushton dy dinarë.

    – Përkujdesja ime për vëllain e vogël, kur nëna mungon, kushton tri dinar.

    – Shpërblimi im për suksesin tim në shkollë kushton pesë dinarë.

    Nëna duke e shikuar vajzën e saj në sy, në ato momente i vinin nëpër mend situata të ndryshme nga e kaluara, kështu që e mori po të njëjtën letër dhe shkroi në të:

    – Bartja në bark nëntë muaj pa të holla.

    – Dhembjet e rënda dhe të egra të shtatzënisë pa të holla.

    – Një natë që e kalova për të përkujdesur për ty e sëmurë pa të holla.

    – Përkujdesja, pastrimi, rrobat, lojërat dhe fshirja e lotëve tua, të gjitha pa të holla.

    Ia dha letrën të bijës, e kur ajo e lexoi, u shtri në gjoksin e saj e turpëruar, dhe në të njëjtën letër, poshtë gjërave të saj që i llogariti shkroi: Llogaria është e paguar paraprakisht!

    – Nëse nuk të pëlqen ajo që e arrin shiko se ti çfarë ke dhënë! Atëherë kur ti e ndryshon pikëpamjen tënde për gjërat përreth teje, do të gjesh se çdo gjë përreth teje ka ndryshuar!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • SINQERITETI I BËN NJERËZIT TË NA I FALIN GABIMET!

    SINQERITETI I BËN NJERËZIT TË NA I FALIN GABIMET!

    Burri u kthye shumë vonë në shtëpi. Jashtë kishte pirë alkool dhe ishte dehur dhe në këtë gjendje e bëri copë-copë një enë të shtrenjtë, e pastaj volli e ra për­tokë. Erdhi gruaja e vet, e ngriti dhe e shtriu në shtrat, e pastaj u kthye ta pastrojë vendin!

    Kur burri u zgjua në mëngjes, ia mori mendja se gruaja e tij është e zemëruar në të për atë që ndodhi natën e kaluar dhe u ngrit duke e lutur Allahun që të mos ketë zënka mes tyre!

    Mirëpo, burri u habit kur e gjeti një letër nga gruaja e tij ku shkruante: I dashuri im, ushqimi yt i mëngjesit që ti e preferon është gati mbi tavolinë, kurse unë e detyrova të dal herët e t’i blej disa gjëra nga shitorja… dhe i dashuri im, do të kthehem tek ti shumë shpejt! Të dua!!

    Burri u habit nga fjalët e saj edhe përskaj asaj që e bëri natën kur ishte i dehur! Iu afrua fëmijës së vet dhe e pyeti: Çfarë ndodhi mbrëmë natën?!

    Fëmija iu përgjigj: Nëna kur deshi të vendos mbi shtrat dhe t’i zbathë këpucët dhe ta zhvesh këmishën, ishe i dehur si i vdekur, e i thave asaj, oj ti grua mos më prek, më lërë mua dhe problemin tim, unë kam grua dhe jam i martuar!!

    Fjalë për meditim:

    Nuk nxisim në bërjen e mëkateve, por ajo që na bie në sy është se, sinqeriteti i bën njerëzit që të na i falin gabimet tona, dhe ne të përmirësohemi dhe të tjerët të na mëshirojnë!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • NËNËS I DIGJET SHPIRTI PËR TY!

    NËNËS I DIGJET SHPIRTI PËR TY!

    Nëna më jepte pjesën e saj të ushqimit dhe derisa e përcillte orizin nga pjata e saj në pjatën time më tho­shte: Biri im, haje këtë oriz se unë nuk jam e uritur!

    Biri im, gjithashtu haje këtë peshk, a po harron se unë nuk e ha peshkun!

    Biri im, nuk jam e lodhur!

    Biri im, ti pi se unë nuk jam e etur!

    Pastaj, refuzoi pas vdekjes së prindit tim të martohet me burrë tjetër duke thënë: Nuk kam nevojë për dashuri!

    Kur refuzoi të braktis punën, ia veçova një pjesë të rrogës sime, por refuzoi ta merr duke thënë: Biri im, ruaje pasurinë tënde se unë kam sa për nevojat e mia!

    Kur gjendja ime u përmirësua kërkova që të banojë me mua, mirëpo nuk deshi të më ngushtojë, dhe më tha: Biri im, unë nuk jam e mësuar të jetoj jetë kom­forte!

    Nëna u plak dhe e arriti moshën e pleqërisë, e u sëmurë nga kanceri, shkova ta vizitoj, fillova të qaj dhe kur më pa ashtu, më tha: Biri im, mos qaj! Unë nuk ndjej dhembje!!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline