Category: Familja & jeta bashkëshortore

  • SI U MARTUA GRUAJA QË KISHTE SIHËR TË MOS MARTOHET!!

    SI U MARTUA GRUAJA QË KISHTE SIHËR TË MOS MARTOHET!!

    Shejh Dr. Muhamed el Arifi, Allahu e ruajtë, thotë: Mu lajmërua një grua dhe më tha se është e sëmurë nga magjia (sihri) dhe se nga sihri i saj nuk mundet të martohet!

    I thash: E kam një ilaç për ty, mirëpo a mundesh të durosh në të?

    Më tha: Po, do të bëj sabër.

    I thash: Unë betohem në Allahun, se ti nëse e merr ilaçin do të martohesh edhe pse magjistari nëpërmjet këtij sihri synon që ti mos të martohesh!!

    Më tha: Cili është ilaçi?!

    I thash: Thënia: HASBIJALLAHU UE NI’MEL VEKIL (Më mjafton mua Allahu, sa mbështetës i mirë që është). Përsërite këtë shpesh dhe je e bindur thellësisht në të!

    Pasha Allahun, pas një muaji mu lajmërua përsëri dhe më tha: Të përgëzoi se jam fejuar dhe se martesa ime do të jetë shumë afër!!

    I thash: Si erdhi deri te kjo?!

    Më tha: Pasha Allahun, nuk u ndala duke thënë: HASBIJALLAHU UE NI’MEL VEKIL.

    Kjo është porosi: Për çdo të mërzitur, të pikëlluar dhe të dëmtuar, të sëmurë dhe të ngarkuar me borxhe, për atë që nuk mundet të bën fëmijë dhe që është në depresion.

    “HASBIJALLAHU UE NI’MEL VEKIL”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • O JU BURRA, BËHUNI TË SJELLSHËM NDAJ GRAVE!!

    O JU BURRA, BËHUNI TË SJELLSHËM NDAJ GRAVE!!

    Një burrë e përshkruan gruan e vet dhe thotë:

    Para disa netëve i shtrirë mbi shtratin tim dhe disa minuta para se të flejë, ia drejtova shikimin tim gruas sime e cila ishte në gjumë, dhe fillova ta meditoj gjendjen e saj dhe në vetvete të them:

    E mjera!! Pasi që jetoi me vite në mesin e prindërve dhe familjarëve, erdhi të flejë përball një burri të huaj për të. E la shtëpinë e prindërve, e la përkëdheljen e tyre, e la kënaqësinë në shtëpinë e familjes së saj dhe erdhi te një burë, i cili e urdhëron në të mirë dhe e ndalon nga e keqja dhe të cilit i shërben në atë që është i kënaqur Allahu dhe kjo e tëra për hir të fesë së saj.

    Pastaj ia parashtrova vetvetes disa pyetje: Si mundin disa burra t’i rrahin gratë e tyre dhe të përdorin forcë mbi to, pasi që ajo e la familjen e saj dhe erdhi te ai?!

    Si mundin disa burra të largohen nga shoqëria e grave të tyre dhe të shkojnë me shokë nëpër restorante e të hanë dhe të mos mërziten aspak për ato që i lanë në shtëpi?!

    Si mundin disa burra ta kalojnë më shumë kohën e tyre jashtë, se sa kohën e tyre ta kalojnë me gratë dhe familjet e tyre?!

    Si mundin disa burra që shtëpinë ta bëjnë burg për gratë e tyre, mos t’i nxjerrin jashtë aspak dhe mos t’i shoqërojnë?!

    Si mundin disa burra t’ia lejojnë vetvetes që gratë e tyre të flenë me zemra të thyera e të zemëruara dhe me sy të përlotura?!

    Si mundin disa burra të udhëtojnë dhe t’i lajnë gratë dhe fëmijët e tyre dhe gjatë udhëtimit mos të interesohen aspak për ta? !

    Si mundin disa burra të jenë të shkujdesur ndaj përgjegjësive për të cilat do të jep llogari para Allahut, ashtu si na ka lajmëruar i Dërguari Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

    O ju burra, bëhuni të sjellshëm dhe të butë ndaj grave. Ato nuk i fisnikëron përveç se fisniku!!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • RESPEKTI I NËNËS ME SËMUNDJE MENTALE

    RESPEKTI I NËNËS ME SËMUNDJE MENTALE

    Ky është një tregim i vërtet dhe shumë prekës të cilin na e rrëfen një mjeke muslimane e cila thotë:

    Një ditë në ordinancën time hyri një grua e cila ishte në të gjashtëdhjetat e shoqëruar nga i biri i saj i cili ishte në të tridhjetat. Ajo që ma tërhoqi vërejtjen ishte kujdesi i tij i tepërt ndaj saj, e kapte për dore ia rregullonte mbulesën dhe ia afronte ushqimin dhe pi­jen. Pas pyetjes sime për problemin e saj dhe kërkimit tim për ta kontrolluar e pyeta rreth gjendjes së saj mentale, për arsye se e vërejtja se sjellja e saj nuk ishte normale dhe gjithashtu nuk i përgjigjej pyetjeve të mia.

    Djali i saj mu përgjigj dhe më tha: Nëna ime ka probleme mentale nga lindja e saj.

    Fjalët e tij më prekën tepër dhe e pyeta: Po kush kujdeset për të?

    Më tha: Unë.

    I thash: Pasha Allahun, begati e madhe. Po kush kujdeset për pastërtinë e rrobave të saj dhe trupit të saj.

    Më tha: Unë e përcjelli deri në banjo, unë ia sjelli rrobat dhe e pres deri sa t’i kryejë nevojat e saj. Unë i futi rrobat e saj të palara në makinën e larjes, unë i shtri ato të thahen dhe unë ia blej rrobat që i nevojiten!

    I thash po pse nuk ia sjell një shërbëtore?

    Mu përgjigj: Nëna ima është e mjerë, i shëmbëllen një fëmije, asnjëherë nuk ankohet dhe frikohem se shërbëtorja do ta dëmtojë.

    U mahnita nga fjalët e tij dhe nga respekti i tij ndaj saj dhe i thash: Po ti, a je i martuar?

    Mu përgjigj: Unë jam i martuar dhe kam fëmijë, elhamdulilah.

    Atëherë gruaja jote kujdeset për nënën tënde, i thash.

    Më tha: Kujdesi i saj nuk është i mangët. Ajo e përgatit ushqimin dhe ia servon nënës sime. Gruas sime ia kam sjellë një shërbëtore e cila i ndihmon mirëpo prapëseprapë unë kujdesem që të ha me nënën time për arsye se ajo e ka sëmundjen e sheqerit dhe dëshiroj të jem i sigurt se nuk do të hajë ushqim që ia dëmton shëndetin.

    Kjo ma shtoi edhe më tepër mahnitjen dhe më erdhi të qaj dhe me shumë vështirësi e mbajta veten që mos të dalin lotët nga unë. Më shkuan sytë kah thonjtë e saj dhe e vërejta se i kishte të shkurtër dhe të pastër dhe i thash: Po thonjtë e saj?

    Mu përgjigj: Mjeke, unë ia shkurtoj ato. Ajo është e mjerë. Në atë moment shikoi nëna kah biri i saj dhe i tha: Kur do të më blesh mua patate të fërguara? Tani do të shkoj dhe do t’i blej në shitore, i tha. Nëna kur i dëgjoi fjalët e të birit fluturoi nga gëzimi dhe tha: Tani… Tani!. I biri iu kthye dhe tha: Pasha Allahun, unë gëzohem për gëzimin e saj më shumë se sa për gë­zimin e fëmijëve të mi të vegjël.

    U bëra sikurse shkruaj në dokumentacionin e saj që të mos vërehet se shumë u ndikova nga këto fjalë. A nuk ka fëmijë tjetër, e pyeta?

    Tha. Unë jam fëmija i vetëm i saj për arsye se prindi im e ndau vetëm pas një muaji martese.

    Mirë, ty kush të rriti… prindi, e pyeta?

    Jo, u përgjigj. Gjyshja ime është kujdesur për mua dhe për nënën time derisa Allahu ia mori jetën dhe unë atëherë isha vetëm se dhjetë vjeçar.

    E pyeta se a është kujdesur nëna jote kur ke qenë i sëmurë apo a të rikujtohet se ajo është kujdesur për ty ndonjëherë? Apo është gëzuar me gëzimin tënd dhe është pikëlluar me pikëllimin tënd?

    Mu përgjigj: Mjeke, nëna ime është e mjerë nga mosha ime dhjetë vjeçare. Unë kujdesem për të dhe i ndihmoj në të gjitha nevojat e saj.

    Nuk munda më shumë të duroj, ia përshkrova recetat dhe ia qartësova barnat.

    I biri e kapi nënën e vet për dore dhe i tha: Eja nëna ime tani të shkojmë në shitore. A nuk shkojmë në Meke, i tha nëna?

    U çudita! Ajo a do të shkojë në Meke, e pyeta? Do të fluturojmë me aeroplan, mu përgjigj nëna e tij. A do ta dërgosh në Umre, e pyeta?

    Mu përgjigj: Po si jo.

    A nuk e ke vështirësi ta kryesh Umren dhe ta lodhsh veten, e pyeta?

    Kry­erja e Umres me të dhe gëzimi i saj se do të udhëtojmë së bashku ka shpërblim më të madh tek Allahu se sa me bë Umren vet.

    U larguan nga ordinanca, e mbylla derën dhe i thash motrës medicinale se dëshiroj të pushoj dhe nuk dua të më pengojë askush. Fillova të qaj nga gjithë zemra ime dhe të them në vetvete: Ajo nuk ka qenë asnjëherë nëna e tij… ajo vetëm se e barti dhe e lindi por nuk e edukoi, as nuk e prishi gjumin natën asnjëherë për të, as nuk e mësoi, as nuk ndjeu dhembje për dhembjet e tij, as nuk qau për të qarët e tij, e as nuk mbeti pa gjumë nga frika për të, dhe as… dhe as! Megjithatë… i gjithë ai respekt!

    A do të veprojmë ne me nënat e tona të shëndosha ashtu si veproi ky njeri me nënën e vet të sëmurë? Nëna ime e dashur, e lus Allahun që të mos ma ndalojë dhe të më largojë nga respekti yt.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • FEJESA E NJË VAJZE DHE KAFEJA E HIDHUR

    FEJESA E NJË VAJZE DHE KAFEJA E HIDHUR

    Ishte një vajzë shumë e bukur dhe e pamartuar, jo se nuk kishte oferta për martesë, ata që i propozonin martesë ishin të shumtë dhe shtoheshin për çdo ditë, mirëpo ajo refuzonte çdo ofertë.

    Kur vinte ndonjë djalë me ofertë, prindi e ftonte t’u shërbejë kafe me qëllim që ta sheh atë që i propozon martesë, mirëpo çdo herë në fund e lajmëronte se nuk dëshiron të martohet me atë djalë.

    Prindi filloi të zhgënjehet nga çështja e saj, mirëpo nga dashuria e madhe që e ndjente ndaj saj, nuk e mundonte me fjalë që mos t’ia lëndojë zemrën, edhe pse në vetvete e mundonin fort refuzimet e saj të çdo oferte që i vinte për çdo ditë.

    Një ditë nga ditët, erdhi një djalë me një ofertë të re për martesë. Në pamje ishte një djalë i ri, i pashëm dhe i edukuar. Vajza pasi që e shërbeu me kafe, doli ta lajmërojë prindin e saj, se ky është ai të cilin e do për burrë dhe me të është e kënaqur ta shoqërojë.

    Këtë herë prindi i saj nuk mundi ta fshehë gëzimin e tij dhe i tha:

    – Bija ime, më njofto se çka vërejte te ky djalë, kurse te të tjerët nuk e vërejte? Ty të erdhën oferta nga më të pasur dhe më me pozitë se ky dhe të gjitha i refuzove.

    Vajza, të cilës Allahu i kishte pas dhënë bukuri dhe mençuri, iu përgjigj:

    – O prindi im, kur kërkoje nga unë që të shërbej kafe me qëllim që të më sheh djali që ka ardhur të ma kërkojë dorën, unë i shërbeja kafe të hidhur, pa sheqer. Ai në ato momente i mbante sytë tek unë, i mahnitur nga bukuria ime, por kur e shijonte kafenë e hidhur, e largonte shikimin nga unë, harronte prezencën time dhe nuk më shikonte më. Kur e fillonte bisedën, fliste për pasurinë dhe për pozitën e tij në mesin e njerëzve. Kurse ky djalë kur e piu kafenë, edhe pse ishte e hidhur, vazhdoi të më shikojë, buzëqeshi me mua dhe e piu deri në fund. Ndjeva se e kuptoi domethënien e kafesë së hidhur dhe e kuptoi se unë dua që ndokush t’i ndajë me mua vështirësitë para gëzimit dhe pikëllimin tim para lumturisë. Ndjeva se ai e kuptoi se mëshira dhe dashuria mes dy vetëve rriten kur jeta është e hidhur para se të jetë e ëmbël dhe se ato nuk zbehen nëse i dalin përpara pengesa në rrugë. E pranoi bukurinë time dhe seriozitetin tim dhe e piu kafenë time të hidhur. Pranoi të jemi së bashku në të ëmblën dhe në të hidhurën, kurse këtë nuk e kuptuan të tjerët.

    Prindi i saj foli dhe i tha:

    – Bija ime, Allahu të bekoftë dhe diturinë e dritën ta shtoftë!

    Nga arabishtja: irfan JAHIU

     

     

  • AFËRSIA E GJAKUT DHE RESPEKTIMI I FAREFISIT

    AFËRSIA E GJAKUT DHE RESPEKTIMI I FAREFISIT

    1. Me afërsi gjaku nënkuptojmë të afërmit nga ana e babait ose e nënës. Afërsia ndodh kur dy njerëz lidhen njëri me tjetrin me lindje të afërt ose të largët, si p.sh.: djali i mixhës ka afërsi gjaku me ty, sepse ju të dy lidheni me lindje që përfundon te gjyshi (baba i babait).[1]
    2. Të afërm llogariten ata që i kemi të afërm në prejardhje dhe në afërsi gjaku.

    Prandaj, çdonjërin që e bashkon gjaku me ty është i afërm dhe farefis për ty, pavarësisht nga ana e babait ose nga ana e nënës, si: vëllai dhe motra, djali dhe vajza, axha dhe daja, halla dhe tezja, dhe fëmijët e tyre djem e vajza.[2]

    1. Trungu familjar ndahet në rrënjë, degë dhe shoqërues:

    Rrënjë janë baballarët dhe nënat, që nga ta bëhet degëzimi i prejardhjes familjare, ku bën pjesë edhe ti.

    Degë janë ata që degëzohen prej teje nga bijtë dhe bijat.

    Shoqërues janë ata të cilët të shoqërojnë në rrënjët e tua, si: vëllai, motra dhe në mesin e tyre bëjnë pjesë edhe xhaxhallarët dhe hallat.[3]

    1. Kush llogaritet farefis i njeriut, që obligohemi t’i respektojmë dhe mbajmë lidhjet me ta?

    Dijetarët i kanë dhënë disa mendime dhe ai më i drejti është se farefis llogaritet në përgjithësi çdo i afërm nga gjaku, pavarësisht a trashëgon apo jo, a është nga mahremat apo jo[4].[5]

    Kjo duke u bazuar në argumentet e përgjithshme, ndër ta hadithi: “Respektoje nënën dhe babanë, motrën dhe vëllanë, e pastaj tjetrin më të afërt dhe kështu me radhë.”[6]

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se një njeri tha: “O i Dërguar i Allahut! Cili nga njerëzit është më meritor për shoqërimin e mirë?” U përgjigj: “Nëna, nëna, nëna, pastaj babai, dhe pastaj tjetri më i afërt dhe kështu me radhë.”[7]

    1. Farefisnia është disa shkallë:

    Më të afërm janë baballarët dhe nënat dhe të tjerët përpjetë, bijtë dhe bijat dhe të tjerët teposhtë, vëllezërit dhe motrat dhe fëmijët e tyre.

    Pastaj më të afërmit me radhë, si: xhaxhallarët dhe hallat dhe të tjerët përpjetë, dajallarët dhe tezet dhe të tjerët përpjetë, pastaj fëmijët e xhaxhallarëve dhe hallave, si dhe fëmijët e dajallarëve dhe të tezeve. Pra, i jepet përparësi më të afërmit, e pastaj tjetrit më të afërt me radhë.

    Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Pëlqehet t’i jepet përparësi nënës në dëgjueshmëri dhe mirësi, e pastaj babait, fëmijëve, gjyshërve, vëllezërve dhe motrave, pastaj të gjithë mahremave prej familjes, si: xhaxhallarëve, dajallarëve, hallave, tezeve etj. Pra, i jepet përparësi më të afërmit, e pastaj tjetrit më të afërt dhe kështu me radhë.

    I jepet përparësi vëllait nga babai dhe nga nëna para vëllait që është vetëm nga babai ose vetëm nga nëna, e pastaj atij që e ke farefis, por jo mahrem, si: djalit të axhës dhe vajzës së tij, fëmijëve të dajallarëve e të tezeve dhe të tjerëve.”[8]

    1. Familja e gruas për burrin e saj s’janë farefis[9] përveç, nëse ata janë nga të afërmit e tij, kurse për fëmijët e gruas së tij, ata janë farefis.[10]
    2. E drejta farefisnore në fenë islame është e madhe. Respektimi, vizita dhe bamirësia ndaj tyre janë nga obligimet e mëdha që Islami nxit për në to, madje Allahu në Kuran e përmendi respektimin e tyre paralel me teuhidin (njësimin e Allahut). Allahu thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit…” (En-Nisa: 36).

    Dhe thotë: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit…” (En-Nahl: 90)

    Dhe thotë: “Jepja të drejtën e tij të afërmit, edhe të varfrit, edhe udhëtarit! Kjo është më e mirë për ata që e duan kënaqësinë e Allahut. Pikërisht ata do të jenë të fituarit.” (Er-Rum: 38)

    1. E drejta farefisnore vjen pas hakut ndaj prindërve; kjo, sepse njeriu lidhet me farefisin e tij nëpërmjet lidhjes me prindërit.

    Lidhja me prindërit është përpara lidhjes me të afërmit, prandaj Allahu lidhjen me të afërmit e përmendi pasi që e përmendi lidhjen e prindërve: “…do të silleni mirë me prindërit, të afërmit…” (El-Bekare: 83)[11]

    1. Respektimi i lidhjes farefisnore është cilësi e të devotshmëve, të cilën Allahu në Kuran e përmendi paralel me frikërespektin ndaj Tij: “…Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (En-Nisa: 1); që do të thotë: “kini frikë Allahun dhe mos i shkëputni lidhjet farefisnore, por respektoni ato dhe mbani lidhjet me ta.”[12]
    2. Mbajtja e lidhjeve farefisnore është emblemë e besimit në Allahun dhe në Ditën e Kiametit. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Kiametit, le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”[13]
    3. Lidhja farefisnore është nga themelet e mesazhit që e përçon Islami dhe nga synimet e dërgimit profetik. Xhafer ibën Ebi Talib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, shkurtimisht në disa fjalë ia paraqiti Nexhashiut, mbretit të Etiopisë së atëhershme, mesazhin e Islamit duke i thënë: “…Allahu e dërgoi të Dërguarin nga gjiri ynë, ne ia njohim prejardhjen, sinqeritetin dhe besnikërinë atij. Na thirri që ta adhurojmë Allahun dhe të mos i përshkruajmë Atij shok…”, derisa tha: “Na urdhëroi ta flasim të drejtën, ta realizojmë amanetin dhe t’i mbajmë lidhjet farefisnore.”[14]

    Kur Amru ibën Abese e pyeti të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për mesazhin me të cilin është dërguar, i tha: “Me çfarë mesazhi je i dërguar?” Iu përgjigj: “Allahu më dërgoi që t’i respektoj lidhjet farefisnore, t’i thyej idhujt, të adhurohet dhe njësohet Allahu dhe të mos i përshkruhet Atij ortak në adhurim.”[15]

    1. Mbajtja e lidhjeve farefisnore është shkak për të hyrë në Xhenet. Një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “O i Dërguar i Allahut! Më lajmëro për ndonjë vepër që më fut në Xhenet?” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Ta adhurosh Allahun dhe të mos i bësh shok Atij, ta falësh namazin dhe ta japësh zekatin, t’i mbash lidhjet me farefisin.”[16]
    2. Mbajtja e lidhjeve farefisnore është shkak për bereqet në jetë dhe e shton riskun. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kush dëshiron që risku t’i shtohet dhe jeta t’i zgjatet (t’i shtohet bereqeti në jetë), le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”[17]

    Me një hadith tjetër: “Mbajtja e lidhjeve farefisnore, morali dhe fqinjësia e mirë e ndërtojnë vendin (shtojnë bereqetin dhe pasardhësit) dhe e shtojnë jetën.”[18]

    1. Kush i mban lidhjet farefisnore, Allahu i mban lidhjet me të dhe kush i shkëput lidhjet farefisnore, Allahu i shkëput me të.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Allahu thotë: ‘Unë jam Allahu, Unë jam i Gjithëmëshirshmi. Unë e krijova lidhjen farefisnore dhe emrin farefisni (er-rahimu) ia dhashë nga emri Im. Kush i mban lidhjet me farefisin, edhe Unë i mbaj lidhjet me të dhe, kush i shkëput ato, edhe Unë i shkëputi lidhjet me të’.”[19]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Pasi Allahu i krijoi të gjitha krijesat, lidhja farefisnore tha: ‘O Zot! Pozita ime është në një gjendje që kërkon mbrojtje te Ti nga shkëputja e lidhjeve farefisnore.’ Allahu i tha: ‘Po a nuk je e kënaqur që t’i mbaj lidhjet me atë që i mban me ty dhe t’i shkëputi lidhjet me atë që i shkëput me ty?’ Lidhja farefisnore tha: ‘Po o Zot!’ Allahu i tha: ‘Kjo që kërkove u pranua dhe të takon ty’.”[20]

    1. Shkëputja e lidhjeve farefisnore është nga mëkatet e mëdha shkatërruese, ashtu siç Allahu thotë: “Nëse ju (o hipokritë) ia ktheni shpinën besimit, atëherë do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore. Këta janë ata, të cilët Allahu i ka mallkuar, i ka bërë të shurdhër dhe ua ka verbuar shikimin.” (Muhamed: 22-23)

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Nuk hyn në Xhenet shkëputësi i lidhjeve farefisnore.”[21]

    1. Për nga esenca, mbajtja e lidhjeve farefisnore është obligim, por në disa raste mund të mos jetë obligim, po të jetë e pëlqyer dhe kjo varet sipas mundësisë dhe nevojës.

    Grada më e ulët: mosdistancimi dhe mbajtja e lidhjeve qoftë edhe me dhënien e selamit.

    Nëse i mban disa nga lidhjet dhe pjesën më të madhe nuk i mban, nuk quhet shkëputës i lidhjeve farefisnore. Ndërsa, nëse është i mangët aty ku mundet t’i mbajë dhe t’i plotësojë lidhjet, nuk quhet mbajtës i lidhjeve.[22]

    1. Mbajtja e lidhjeve farefisnore bëhet me dhënien e selamit, me bamirësi ndaj tyre me fjalë dhe vepra, me vizita dhe thirrje telefonike, me sjellje të butë, me dhurimin e dhuratave, me përkrahje, me pasuri, mirësi për ta dhe me largimin e sherrit nga ta sipas mundësive, me përkujdesje për gjendjen dhe hallin e tyre, me plotësimin e nevojave të tyre, ndihmesa e tyre me pasuri dhe pushtet, në veçanti ata që kanë më shumë nevojë.
    2. Mbajtja e lidhjeve farefisnore është ajo që njihet në traditën e popullit dhe e veprojnë njerëzit, sepse në Kuran dhe në Sunet nuk është përmendur lloji dhe sasia e saj dhe Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nuk e ka përkufizuar me diçka të veçantë, por e ka përmendur atë në përgjithësi. Prandaj, çështja kthehet në traditën e popullit, ajo që në traditën e popullit llogaritet nga lidhja farefisnore ajo është lidhje farefisnore, dhe ajo që llogaritet te njerëzit nga shkëputja e lidhjeve, ajo llogaritet shkëputje.[23]
    3. Mbajtja e lidhjeve farefisnore varet nga afërsia dhe largësia, në gjenealogji dhe pozitë, sipas mundësisë dhe nevojës. Andaj drejtësi dhe afërsi.

    Sot janë shtuar mjetet e komunikimit dhe për këtë falënderimi i takon Allahut, por ato nuk duhet të jenë shkak për shkëputjen e lidhjeve.

    1. Të afërmit dallojnë njëri nga tjetri në gjendje, natyrshmëri dhe pozitë. Dikujt i mjafton ta vizitosh një herë në muaj apo ta thërrasësh në telefon, dikujt tjetër i mjafton buzëqeshja ose respektimi i tij me fjalë, ndonjëri nga ta kërkon ta arsyetosh, ndonjëri nga ta nuk kënaqet, veç me vizita të vazhdueshme dhe të shpeshta. Pra, çdonjëri i ka tabiatet e veta dhe, sipas mundësive, mirë është që lidhjet dhe sjellja të jenë sipas këtij rregulli. Kjo ndihmon në respektimin e lidhjeve dhe mbetjen e dashurisë.
    2. Mbajtës i lidhjeve farefisnore është ai që i mban lidhjet me ata që i mbajnë dhe me ata që nuk i mbajnë lidhjet me të. Kurse ai që i mban lidhjet vetëm se me ata që i mbajnë me të, nuk llogaritet mbajtës, por shpërblyes (d.m.th. kthyes i vizitave). Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nuk i mban lidhjet farefisnore ai që i shkëmben vizitat me atë që e viziton, por është ai që, kur të afërmit nuk e vizitojnë, ai shkon dhe i viziton ata.”[24]

    Nëse raportet në mes familjarëve nuk janë në atë shkallë, saqë të ‘nisem dhe të filloj unë i pari me vizitë’, por janë thjesht ta kthejë dhe ta shpërblejë të mirën me të mirë, sipas parimit të disa njerëzve ‘ti më dhuron dhe të dhuroj edhe unë’, ‘ti më viziton dhe të vizitoj edhe unë’; ky nuk është respektim i farefisnisë, por kjo është sipas rregullit: të trajtoj me reciprocitet ose të shpërblej në të njëjtën mënyrë.

    Në hadith përcillet për një njeri se tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam farefis që i vizitoj, por ata nuk më vizitojnë, me ta sillem mirë, por ata sillen keq me mua, me ta jam i butë, por ata janë të vrazhdë me mua!” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Nëse gjendja është e tillë si e thua ti, është njësoj sikurse t’i ushqesh me hi të nxehtë, kurse me ty vazhdimisht do të jetë një ndihmës nga Allahu kundër tyre, përderisa ti je në këtë gjendje.”[25]

    Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Më urdhëroi i dashuri im, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me shtatë gjëra: t’i dua të ngratët dhe të jem afër tyre, ta respektoj farefisninë, edhe nëse ata nuk më vizitojnë…”[26]

    – Njerëzit në mbajtjen e lidhjeve farefisnore ndahen në tri grupe:

    Grupi parë: Ata që i mbajnë lidhjet; këta janë që i mbajnë lidhjet farefisnore me ata që i vizitojnë dhe me ata që nuk i vizitojnë e nuk sillen mirë. Kjo është pozita më e mirë.

    Grupi i dytë: Janë shpërblyesit (kthyesit e vizitave); janë ata që, nëse farefisi sillen mirë, edhe ata sillen mirë me farefisin, nëse vizitohen, edhe ata i vizitojnë, nëse i shkëpusin lidhjet edhe ata i shkëpusin lidhjet me ta, d.m.th. që këta persona i trajtojnë me të njëjtën mënyrë si trajtohen nga ta.

    Grupi i tretë: Janë ata që i shkëpusin lidhjet; këta janë që i shkëputin lidhjet me farefisninë, nuk i vizitojnë dhe nuk ua kthejnë vizitat atyre që i vizitojnë. Kjo është pozita më e keqe.

    1. Shkëputja e lidhjeve farefisnore ndodh me lëndimin e tyre me fjalë ose me vepra, me braktisjen bamirësisë, vizitave dhe përshëndetjen e tyre, me mospërkujdesjen për gjendjen e tyre dhe me mospjesëmarrje në gëzimet dhe pikëllimet e tyre.

    Domethënë që shkëputja arrihet kur nuk u arrin e mira ose kur u shkon dëmi atyre.

    1. Të afërmit dhe farefisnia jote janë më meritorë për bamirësinë dhe lëmoshën tënde. Kështu që bujaria, butësia dhe mëshira jote, për to më meritorë le të jenë të afërmit, e sidomos të varfërve nga ta. Lëmosha që u jepet të afërmve dhe farefisit është e shumëfishuar. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Lëmosha që i jepet të ngratit është sadaka kurse, kur i jepet të afërmve, është sadaka dhe respektim i lidhjeve farefisnore.”[27]

    Kur Mejmune bint El-Harith, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e liroi skllaven e saj. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Nëse atë do t’ua dhuroje dajallarëve të tu, shpërblimi do të ishte më i madh.”[28]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në këtë rast e llogariti dhuratën për të afërmit më të vlefshme sesa lirimin nga skllavëria.[29]

    Kur zbriti ajeti: “Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni” (Ali Imran: 92), Ebu Talha, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, shkoi te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe i tha: “Për mua pasuria më e dashur është kopshti im me hurma dhe atë po e jap sadaka për hir të Allahut, me shpresë që ta arrij përkushtimin dhe Allahu të ma zëvendësojë në ahiret, andaj, o i Dërguar i Allahut, shpenzoje si të duash!”

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Të lumtë! Kjo është pasuri fitimprurëse, kjo është pasuri fitimprurëse! E dëgjova çfarë the dhe unë e shoh që më e mira është t’ua japësh të afërmve të tu.”

    Ebu Talha tha: “Ashtu do të veproj o i Dërguar i Allahut!” Pastaj Ebu Talha ua ndau sadakanë të afërmve dhe djemve të xhaxhallarëve të tij.’[30]

    Ky është argument që lëmosha e cila u jepet të afërmve, nëse ata janë nevojtarë, është më e vlefshme se ajo që u jepet të huajve.[31]

    1. Lëmosha e cila u jepet atyre që të urrejnë dhe armiqësojnë nga të afërmit është sadaka më e vlefshme. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Sadakaja më e vlefshme është ajo që u jepet atyre të cilët të urrejnë dhe të armiqësojnë nga të afërmit.”[32]

    Kjo nga shkaku se shpirti nga natyrshmëria e do shpenzimin për të dashurin e tij, në krahasim me atë që e urren, shpenzimi për të është i rëndë dhe është luftë me veten.[33]

    1. Armiqësia në mes farefisit është e keqe e madhe. Ajo e turbullon kthjelltësinë e afërsisë, të afërmin e bën armik dhe të largët, e shkakton distancimin dhe shkëputjen farefisnore, mosrespektimin e prindërve, përçarje dhe mospajtime, fëmijët i shkatërron shpirtërisht, familjen dhe shoqërinë e destabilizon. Çështja ka arritur deri aty, saqë në gjuhën e popullit përdoret një shembull i keq: “Të afërmit janë sikurse akrepat!”
    2. Si shkak i armiqësisë në mes farefisit është besimi i dobët dhe devotshmëria e zbehtë, angazhimi me dynja, mospajtimet financiare rreth kompanive dhe trashëgimive ose ndarja e tyre me vonesë dhe të ngjashme me to, padrejtësia e prindit karshi fëmijëve duke mos qenë i drejtë dhe i barabartë me të gjithë fëmijët njësoj, anashkalimi i vizitave dhe disa adete shoqërore të padrejta.
    3. Paqësimi në mes të të afërmve është vepër e madhe dhe e mirë që robin e afron tek Allahu, është shkak për faljen e mëkateve dhe zbritjen e mirësive, është lëmoshë nga llojet e lëmoshës, është shkak për mbetjen dhe vazhdimin e dashurisë në mes myslimanëve, ia ndalon shejtanit rrugën që t’i prishë në mes vete, e mbyll derën e armiqësisë dhe e përmirëson shoqërinë në tërësi.

    Allahu thotë: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.” (En-Nisa: 114)

    Dhe thotë: “Nëse ju i përmirësoni marrëdhëniet dhe ruheni nga padrejtësia, ta dini se Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.”  (En-Nisa: 129)

    Dhe thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.” (El-Huxhurat: 10)

    Dhe thotë: “…Prandaj, frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet midis jush…” (El-Enfal: 1)

    Dhe thotë: “…Pajtimi është më i mirë.” (En-Nisa: 128)

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “A t’ju lajmëroj për veprën që është më e mirë në gradë se agjërimi, namazi dhe sadakaja (vullnetare)?” I thanë: “Po, o i Dërguar i Allahut.” U tha: “Paqësimi në mes të të afërmve, kurse futja e armiqësisë në mes tyre është rruajtje (për qëllim është se e dëmton fenë dhe të mirat e njeriut -sh.p-).”[34]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdo ditë në të cilën lind dielli për çdo nyje (të trupit) të njeriut ka sadaka: paqësimi në mes dy vetave është sadaka, të ndihmosh një njeri të hipën në kafshë ose t’i ngarkojë gjërat në kafshë është sadaka, fjala e mirë është sadaka…”[35]

    1. Sheriati për hir të paqësimit e lejoi (me kritere të caktuara) gënjeshtrën, e në rastin e paqësimit në mes familjarëve është edhe më me rëndësi.

    Ajo që lejohet nga gënjeshtra në paqësimin e njerëzve është t’i thuhet njërës palë se filani ka fjalë të mira për ty, të lavdëron, lutet për ty, dëshiron të pajtohet me ty, dhe të ngjashme me to (edhe pse realisht nuk janë ato fjalët e palës tjetër, por për ta zbutur zemrën e palëve të armiqësuara, lejohet t’u thuhen fjalë të tilla, që të arrihet pajtimi, -sh.p-).

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nuk është gënjeshtar ai që përmirëson në mes njerëzve dhe e përcjell të mirën me qëllim paqësimi ose e flet të mirën.”[36]

    1. Patjetër të gjithë e kanë të mundohen që t’i shërojnë armiqësitë në mes familjarëve, me pajtimin e tyre, me hulumtimin e problemeve dhe shkaqeve që e kanë sjellë armiqësinë, me dëgjimin e palëve, duke ndërmjetësuar njerëzit e mençurit dhe të ditur, me neutralizimin e palëve që e nxisin konfliktin, me shërimin e armiqësisë me urtësi, dije dhe mençuri, derisa të qartësohen paqartësitë dhe të zgjidhet armiqësia.
    2. Më rëndësi është që të përdoret urtësia, mençuria, të largohen budallallëqet nga të gjitha palët, sepse nuk është e logjikshme që të armiqësohen dy familje për shkak të lojës së fëmijëve, ose shkaku i përkrahjes së ndonjë klubi të futbollit!
    3. Me rëndësi po ashtu është që të vërtetohen fjalët dhe të mos i besohet thashethemexhiut.

    Nëse vjen dikush te ti dhe të sjell lajme që urrehen nga ndonjë i afërm yti, mos i beso atij, sepse ai është jo i besueshëm. Allahu thotë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë.” (El-Huxhurat: 6)

    1. Në mes familjarëve duhet të mbisundojë falja, të lëshohet pe në disa gjëra për hir të afrimit të zemrave, t’i jepet prioritet çdoherë pajtimit, të përmenden më shpesh vlerat e faljes dhe të heqjes dorë nga diçka, me qëllim që të arrihet diçka më e madhe, të pranohen arsyetimet e faljet dhe të përmbahen nga qortimi.

    Nëse lëshon pak pe nga haku yt në kompensim të ruajtjes së dashurisë së djalit të xhaxhait ose djalit të dajës, ti je fitimtar. Pasuria kompensohet, ndërsa i afërmi nuk kompensohet.

    Allahu thotë: “…Por që të falni është më pranë devotshmërisë. Mos harroni që të bëheni bamirës midis jush!…” (El-Bekare: 237)

    Po ashtu thotë: “Por, atë që fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut…” (Esh-Shura: 40)

    Kur Allahu i përmend cilësitë e të devotshmëve thotë: “…dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Ali Imran: 134)

    1. Nëse i afërmi të lëndon në ndonjë mënyrë, më e mira gjë është durimi dhe kthimi i së keqes me të mirë. Kjo e ruan dashurinë, i ruan raportet në mes farefisit, ia lehtëson myslimanit lëndimet që me to ballafaqohet, e ndoshta i afërmi kur e sheh bamirësinë dhe durimin e të afërmit të vet me të, i vjen turp nga vetvetja. Allahu thotë: “Dhe ata që durojnë për të fituar dashurinë e Zotit të tyre, që falin namazin, që ndajnë fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne dhe, që të keqen e kthejnë me të mirë. Këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e fundit.” (Er-Rad: 22)
    2. Nga problemet më të mëdha, me të cilat ballafaqohet një familje e kapur për fe, janë të afërmit e devijuar. Tabiati vidhet dhe njerëzit nga natyrshmëria e tyre ndikohen njëri nga tjetri, prandaj përzierja me farefisin jo të kapur për fe mund t’i çojë deri në devijim. Përzierja burra me gra, shpërfillja e namazit, shikimi në haram, bërja zakon e shqiptimit të fjalëve të liga e të turpshme dhe të ngjashme me to; të gjitha këto janë nga dukuritë e rënies së imanit dhe rrezikut të devijimit.
    3. Mbajtja e baraspeshës në mes tij dhe vizitave të farefisit si dhe shërimi i devijimit të tyre, bëhet me këshilla dhe me thirrjen e tyre në fenë e Allahut, nxitjen e tyre për pendim dhe istigfar, bërja e tubimeve javore ose mujore për lexim të Kuranit, ose dëgjim të këshillave si dhe duhet t’u tërhiqet vërejtja që të përkujdesen për ndjenjat e të kapurit për fe që gjatë vizitës së tyre të mos veprojnë mëkate dhe vepra të turpshme.
    4. Myslimani është xheloz për fenë dhe nderin e tij. Ai përkujdeset për ruajtjen dhe përmirësimin e familjes së tij, andaj duhet pasur kujdes nga përzierja e gjinive ose nga të vetmuarit burrë me grua të huaj, me pretekst se të gjithë jemi një familje dhe farefis!

    Në një hadith: “Allahu xhelozon dhe po ashtu besimtari xhelozon. Xhelozia e Allahut është kur besimtari i afrohet asaj që ia ka ndaluar atij.”[37]

    Kur besimtari e mëson që ka dikush, grua ose burrë nga të afërmit, që ndikon negativisht në fenë dhe moralin e familjes së tij, duhet që të jetë i kujdesshëm dhe ta shërojë problemin me urtësi.

    1. Me rëndësi është mbikëqyrja e familjes dhe e fëmijëve në vazhdimësi, thirrja e tyre në të mirë dhe ndalimi i tyre nga e keqja në rast që vërtetohet se janë ndikuar nga sjellja e keqe e ndonjë familjarit dhe kanë rënë në çfarëdo lloj devijimi.
    2. Shkëputja e lidhjeve farefisnore është e ndaluar dhe për obligim e kemi t’i mbajmë lidhjet edhe me të afërmit mëkatarë dhe që nuk janë të kapur për fe. Ata duhet t’i këshillojmë, ta japim mundin dhe përpjekjen maksimale t’i drejtojmë në të vërtetën dhe t’i largojmë nga e kota. Ata janë më meritorë nga të tjerët që të këshillohen.
    3. Nëse besimtari i sheh të afërmit se nuk ndalen nga bërja e mëkateve, e në veçanti atyre të mëdhave, dhe kjo ndikon në imanin dhe fenë e tij (d.m.th. besimtarit); mbajtja e lidhjeve me ta duhet të jetë në kufirin e minimales, duke i rralluar vizitat, duke mos i zgjatur ndejat me ta, nganjëherë mjafton thirrja në telefon, por kjo e tëra pasi të jepet mundi dhe energjia maksimale në këshillimin e tyre dhe kthimin e tyre drejt rrugës së vërtetë.
    4. E ligjshme është që të largohesh nga i afërmi i devijuar, në mënyrë të hijshme pa ndonjë dëm, nëse ta merr mendja se largimi do të ndikojë pozitivisht tek ai dhe do të largohet nga harami. Të afërmit duhet t’i qartësohet se largimi është bërë për shkak të rënies së tij në harame. Po ashtu duhet të shtohen lutjet për udhëzimin e tij, e kur të të jepet mundësia për thirrjen e tij në fe dhe të këshilluarit e tij, veproje atë.

     

    E lusim Allahun për drejtim dhe saktësi, të na zbukurojë me bukurinë e imanit dhe të na udhëzojë për në moralin dhe veprat më të mira.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan Jahiu

    Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”

    (I PËRKTHYER NË GJUHËN SHQIPE)

     

    [1] Shih: Esh-Sherh El-Mumti’ (11/203).

    [2] Shih: Es-Sahah, El-Xhevherij (1/199). Lisanul Arab (1/655), Fet’hul Barij (5/380), El-Meusua El-Fik’hije (33/66).

    [3] Shih: Esh-Sherh El-Mumti’, Ibën Uthejmin (11/203, 13/498).

    [4] Mahrem është çdonjëri që ndalohet me të martesa, si: babai, vëllai, mixha, daja etj. (sh.p.)

    [5] Shih: Fet’hul Barij (10/414), Fetava El-Lexhnetu Ed-Daime (25/291), Fetava Islamije (4/195).

    [6] Imam Ahmedi (7108), imam Hakimi (7245), shejh Albani e saktësoi në El-Irva (2/226).

    [7] Muslimi (2548).

    [8] Sherh En-Nevevij ala sahih Muslim (16/103).

    [9] E as familja e burrit për gruan e tij s’janë farefis për shkak se mes tyre s’ka lidhje gjaku, por mes tyre ekziston lidhje krushqie. (sh.p.)

    [10] Fetava Islamije, Ibën Baz (4/195).

    [11] Shih: Tefsir Er-Razij (3/587).

    [12] Shih: Tefsir Ibën Kethir (2/206).

    [13] Buhariu (6138).

    [14] Imam Ahmedi (1740), shejh Albani e saktësoi në Sahih Es-Siretul Nebevije (fq. 174).

    [15] Muslimi (832).

    [16] Buhariu (1396), Muslimi (13).

    [17] Buhariu (5986), Muslimi (2557).

    [18] Ahmedi (25259), shejh Albani në Sahih El-Xhami’ (3767).

    [19] Ebu Davudi (1694), Et-Tirmidhiu (1907), shejh Albani e saktësoi.

    [20] Buhariu (5987), Muslimi (2554).

    [21] Buhariu (5984), Muslimi (2556).

    [22] Shih: Ikmal El-Mualim, El-Kadij Ijad (8/20), Sherh En-Nevevij ala sahih Muslim (16/113).

    [23] Sherh Rijadu Es-Salihin, shejh Ibën Uthejmin (3/185).

    [24] Buhariu (5991).

    [25] Muslimi (2558).

    [26] Ahmedi (21415), shejh Albani e saktësoi në Et-Telikat El-Hisan (450).

    [27] Tirmidhiu (658), Nesaiu (2582), Ibën Maxhe (1844), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të mirë në El-Irva (883).

    [28] Buhariu (2592), Muslimi (999).

    [29] Sherh Sahih El-Buharij, Ibën Battal (7/11), Fet’hul Barij (5/219).

    [30] Buhariu (1461), Muslimi (998).

    [31] Shih: Sherh En-Nevevij ala Muslim (7/86).

    [32] Imam Ahmedi (23530), shejh Albani e saktësoi në El-Irva (892).

    [33] Keshful Mushkil, Ibën El-Xheuzij (4/121).

    [34] Ebu Davudi (4919), Tirmidhiu (2509), shejh Albani në Sahih Sunen Ebu Davud (4919).

    [35] Buhariu (2989), Muslimi (1009).

    [36] Buhariu (2692), Muslimi (2605).

    [37] Buhariu (5223), Muslim (2761).

  • SA MADHËSHTORE QË ËSHTË ZEMRA E NJË NËNE!

    SA MADHËSHTORE QË ËSHTË ZEMRA E NJË NËNE!

    Djali merr vendim të prerë që ta largojë nënën e vet plakë nga jeta e tij. E hipi mbi shpinën e tij dhe u nis drejt një kodre të madhe. Rrugës për në kodër, kalonte nëpër male mes shumë pemëve dhe rrugicave të egra. Nëna e cila ishte mbi shpinën e të birit, rrugës  i këpuste degët e pemëve dhe fletët e tyre dhe ato i hidhte në tokë. Pasi që arrin në maje të kodrës, i biri e lë nënën të vetme, pa ushqim dhe pije, me qëllim që sa më shpejt të vdesë.

    E merr rrugën për t’u kthyer në shtëpi, mirëpo ndalet i hutuar. E kuptoi se rrugën e kishte humbur dhe nuk di si të kthehet. Në ato momente, nëna e thërret me gjithë butësi dhe mëshirë duke i thënë:

    – O biri im, nga frika për ty që mos ta humbësh rrugën kur të kthehesh, rrugës i hidhja në tokë degët dhe fletët e pemëve, që kur të kthehesh, të shkosh sipas gjurmëve të tyre dhe të mbërrish mirë e shëndoshë deri në shtëpi. Shko, o biri im!

    Djali kur e pa këtë qëndrim të nënës së vet, e vërejti gabimin e tij dhe sytë iu mbushën me lot. E mori nënën dhe përsëri e hipi mbi shpinë dhe e dërgoi në shtëpi, mirëpo këtë herë duke e nderuar dhe respektuar.

    Për çudi, ai mendonte në vdekjen e saj, kurse ajo në sigurinë e tij!

    Sa madhështore që është zemra e nënës! O Zot, ruaji nënat tona dhe prindërit tanë!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU