Category: Histori islame

  • ADEMI, ALEJHI SELAM

    ADEMI, ALEJHI SELAM

    Para se të fillojmë rrëfimin e historisë të babait tonë Ademit, alejhi selam, do të ndalim disa çaste që ta shpjegojmë vlerën dhe rëndësinë e tregimeve në Islam. S’ka dyshim se tregimet njerëzit i pranojnë më së lehti se sa sendet tjera, janë të dashura për zemrat, ndikojnë shumë lehtë në shpirtra, dhe janë të këndshme për veshin kur i dëgjon.

    Tregimet janë të llojllojshme, të shkurta, të gjata, të vërteta, të pavërteta, të trilluara, etj. Por tregimet më të mira dhe të vërteta janë tregimet prej Kur’anit, të zbritura prej më të Dijshmit azze ue xhel, e pastaj tregimet prej Sunetit. Thotë Allahu, azze ue xhel: Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur përmes shpalljes së këtij Kur’ani, ndonëse ti, me të vërtetë, nuk ke qenë në dijeni më parë.(Jusuf: 3)

    Të gjitha tregimet në Kur’an dhe hadithet e vërteta janë të sakta dhe reale. Ato na rrëfejnë dhe qartësojnë të gjitha ndodhitë siç kanë ndodhur, pa mangësi apo tepricë. Thotë Allahu, azze ue xhel: Ne po ta tregojmë ty historinë e tyre sipas së vërtetës.” (El-Kehf: 13); Pa dyshim, të gjitha këto janë rrëfime të vërteta.(Ali Imran: 62)

     

    Allahu, azze ue xhel, e urdhëroi të Dërguarin e Tij, t’ua rrëfejë njerëzve atë çka ia mësoi atij prej tregimeve, që ndoshta ata do të meditojnë gjendjen e popujve të mëhershëm, e do të marrin mësime prej jetës së tyre dhe do të largohen prej rrugës së tyre në rast se ishin zullumqar, e do t’i pasojnë në rast se ishin në rrugë të drejtë. Thotë Allahu, azze ue xhel: Tregoju atyre këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.(El-A’raf: 176) dhe Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kur’an) nuk është tregim i trilluar.(Jusuf: 111)

     

    Çka mund të mësojmë prej tregimeve:

     

    1- Jetën e pejgamberëve dhe pasuesve të tyre, vuajtjet, sfidat, peripecitë që i përjetonin prej kundërshtarëve të tyre

    2- Qartësimin e metodologjive të pejgamberëve në davet, pastaj durimin e tyre në këtë rrugë, dhe obligimin e çdo muslimani që t’i pasojë ato në atë rrugë. Thotë Allahu, azze ue xhel, duke iu drejtuar të Dërguarit të Tij: Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre.” (El-En’am: 90)

     

    3- Paraqitja e jetës të besimtarëve të devotshëm, sabrin e tyre prej zullumqarëve, shpërblimin e tyre në këtë botë dhe Ahiret, dënimin e jobesimtarëve dhe atyre që e pasojnë rrugën e tyre.

     

    4- Qartësimin e krijimit të njeriut, tokës, kafshëve, bimëve, qiejve, deteve e kështu me radhë.

     

    Pra, tregimet s’janë thjesht vetëm histori që lexohen për ta kaluar kohën dhe për t’u argëtuar, por prej saj mundemi të përfitojmë shumë gjëra. Çdo histori prej tyre përçon parime dhe koncepte plot vlera e domethënie.

     

    Në Kur’an dhe në Sunet është treguar jeta dhe veprimtaria e shumë pejgamberëve, mirëpo dëshira jonë kësaj radhe ishte që të flasim për Ademin, alejhi selam, i cili është njeriu i parë në këtë rruzull tokësor, babai i krejt njerëzimit, lajmëtari i parë nga ana e Allahut, azze ue xhel, etj., e në shkrimet e ardhshme do të flasim për pejgamberët tjerë.

     

    Pasi që historiku i tij është i gjatë do të tentojmë që të sjellim atë më kryesoren dhe atë çka është më e saktë, duke u bazuar në Kur’an, Sunet dhe gjurmët e selefit.

     

    Krijimi i Ademit, alejhi selam:

     

    Krijimi i Ademit, alejhi selam, kaloi në disa etapa, të cilat i tregon Allahu, azze ue xhel, në librin e Tij:

     

    Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: Bëhu!– dhe ai u bë.(Ali Imran: 59); Ai e ka filluar krijimin e njeriut prej baltës” . (Es-Sexhde: 7); Pyeti (o Muhamed) ata (mekas mosbesimtarë): A është më i vështirë krijimi i tyre apo i të gjitha gjërave të tjera që i kemi krijuar? Ata i kemi krijuar nga balta ngjitëse.(Es-Safat: 11); Ai e krijoi njeriun prej baltës së thatë, ashtu si vorba.(Er-Rrahman: 14); Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë, kurse para tij kemi krijuar xhindet nga zjarri pa tym.(El-Hixhr: 26);

     

    Ne ju krijuam e pastaj ju dhamë formë.(El-Araf: 11)

     

    Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është i vërtetë, prej Ebu Musa el Esharij se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu e krijoi Ademin nga një grusht dheu të cilin e mori nga e gjithë sipërfaqja e tokës. Nisur nga kjo, bijtë e Ademit, alejhi selam, morën ngjyrat e tokës. Prej tyre të bardhë, të kuq, të zinj dhe të përzier. Ashtu siç kishte zemërbutë, të dashur, të ligë, të vështirë dhe të përzier” .

     

    Pra, baza është se Allahu, azze ue xhel, e ka marrë një grusht prej dheut të tokës, dhe në këtë grusht janë përfshirë të gjitha llojet e dheut të tokës dhe ky është shkaku se pse njerëzit janë shumë ngjyrësh. Kjo vlen edhe për karakterin e secilit prej tyre.

     

    Pastaj e lagi me ujë dhe u bë baltë e ngjitur. Kur balta u bë e përshtatshme, Allahu e mori dhe i dha formë me dy duart e Tij fisnike, thotë, azze ue xhel: Zoti tha: O Iblis, ç’të pengoi ty që të mos përuleshe në sexhde para atij që e kam krijuar Vetë me duart e Mia?(Sad: 75)

     

    Trupi apo shtatorja prej balte, u la në atë formë për një periudhë kohe derisa u tha. Pasi u tha, statuja mori ngjyrën e baltës së zezë, si ngjyra e vorbës.

     

    Përveçse ishte njeriu i parë i krijuar, Ademi, alejhi selam, është edhe njeriu më i gjatë në të gjithë kohërat. Të gjithë banorët e Xhenetit, do të kenë gjatësinë e Ademit, alejhi selam.

    Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi prej Ebu Hurejres se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: Allahu e krijoi Ademin dhe gjatësia e tij ishte gjashtëdhjetë parakrahë. Pastaj i tha: “Shko dhe përshëndeti ata melek, dhe dëgjo se me çka të përgjigjen, se ajo do të jetë përshëndetja e jote dhe e pasardhësve tu” . Ai u tha: “Es Selamu Alejkum” , e melaqet iu përgjigjën: “Es Selamu Alejkum ue rahmetullah” , e ashtu shtuan “ue rahmetullah” . Secili prej bijve të Ademit që do të hyjë në Xhenet, do të hyjë në formën e Tij dhe krijesat ende vazhdojnë të shkurtohen deri tash.”

     

    Prej këtij hadithit shihet se Ademi ka qenë i gjatë gjashtëdhjetë parakrahë, dhe se ai ka qenë krijesë e përsosur, e plotë prej fillimit të krijimit të tij, e jo i mangët sikurse thonë disa prej injorantëve, e se pastaj shumë vite me rrallë është përsosur. Shihet se ai flet, përgjigjet, ecë, kupton, dhe s’është e mundur që Allahu ta krijojë robin e Tij dhe të Dërguarin e Tij dhe babanë e krejt njerëzimit të mangët. Po ashtu përfitojmë prej hadithit se krejt njerëzit që hynë në Xhenet do të hynë në formën e Tij, azze ue xhel.

     

    Thuhet se kur Allahu i dha formë Ademit, alejhi selam, s’e pajisi me shpirt menjëherë. Ai e la për një kohë të konsiderueshme ashtu si statujë. Kur e pa Iblisi, filloi t’i sillej rrotull i habitur. Kur dalloi se nga brenda ishte bosh, Iblisi e kuptoi se ishte një krijesë që nuk vetëpërmbahej.

     

    Thotë ibën Kethiri: Allahu, azze ue xhel, e krijoi Ademin me duart e Tij, që Iblisi mos të bëhet kryelartë para tij, pastaj e formoi njeri, dhe ishte trup prej balte dyzet vjet. Kur iu afruan melekët, u frikësuan prej pamjes të tij, por më shumë prej tij u tremb Iblisi. Filloi të sillet rreth tij dhe ta godas në trup, dhe dilte prej trupit tingull, sikurse tingulli i cili dëgjohet kur i bihet argjilës. Pastaj u fut prej gojës së Ademit dhe u largua prej prapanicës së tij, dhe i tha melekëve: Mos u frikoni prej këtij, se Zoti juaj është i pandryshueshëm, i përjetshëm, kurse ky është i zbrazur, bosh, dhe në rast se e sulmoj do ta shkatërroj.

     

    Tregon Abdullah ibën Abasi: Zoti urdhëroi që t’i çohej dheu i Ademit, alejhi selam. Ai e krijoi Ademin, alejhi selam, nga balta e ngjitshme dhe balta e tharë. Ai i dha formë me duart e Tij dhe e la dyzet ditë në atë gjendje, trup pa shpirt. Iblisi i sillej rrotull dhe e godiste me shqelma. Nga goditjet, statuja e Ademit, alejhi selam, jehonte. Iblisi i thoshte: Për diçka je krijuar.Pastaj hynte nga goja e Ademit, alejhi selam, dhe dilte nga pjesa e pasme dhe u drejtohej melekëve, të cilët ishin frikësuar kur e kishin parë: Mos e kini frikë këtë! Nëse Zoti më jep pushtet mbi të, do e shkatërroj. Por nëse Zoti i jep pushtet mbi mua, do e kundërshtoj.

     

    Që ditët e para të krijimit të njeriut, lindi dhe armiqësia mes tij dhe shejtanit

     

    Pasi që e krijoi dhe e formoi, Allahu, azze ue xhel, Ademin, alejhi selam, e shpirtëzoi, duke i fry prej shpirtit të Tij: Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, ju t’i përuleni atij në sexhde. (El-Hixhr: 29)

     

    Duke qenë se Iblisi edhe pse ishte prej xhindeve, ishte i lidhur me Allahun dhe e adhuronte Atë. Allahu e kishte bashkuar me melekët, edhe pse nuk i përkiste atyre. Ai nuk i kishte thyer kurrë urdhrat e Zotit. Për këtë, Allahu e kishte shpërblyer duke e ngritur me melekët në qiell.

     

    Pasi përfundoi krijimin e Ademit, alejhi selam, Allahu i urdhëroi të gjithë melekët që t’i përulen atij, si formë nderimi për të. Meqë edhe Iblisi ishte me melekët, ky urdhër ishte i vlefshëm edhe për të. Por, ai e kundërshtoj urdhrin e Allahut dhe u bë prej mohuesve.

     

    Allahu tha: Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?Ai u përgjigj: Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta. (El-A’raf: 12)

     

    Thonë Hasan el Basrij dhe Muhamed Sirini se Iblisi ishte i pari i cili e përdori analogjinë.

     

    Ai gaboi në dy çështje:

     

    E para: Harroi se dheu është më i mirë se zjarri. Prej cilësive të dheut është: i butë, i qetë, i ulët, kurse zjarri i lartë, i egër, që djeg.

     

    E dyta: Ai harroi se urdhri vjen prej Allahut, azze ue xhel, e ai obligohet t’i nënshtrohet urdhrave të Tij. Melekët iu përulën Ademit në shenjë respekti e jo se ai ishte më i miri se ato, dhe respektuan urdhrin e Allahut.

     

    Krijimi i Havës, alejha selam:

     

    Pasi përfundoi plotësisht krijimi i Ademit, alejhi selam, Allahu krijoi bashkëshorten e tij Havën, alejha selam. Hava nuk u krijua menjëherë pas Ademit. Ademi, alejhi selam, jetoi një periudhë kohe krejtësisht i vetëm në Xhenet, gjë e cila e bëri të ndihej i vetmuar dhe i mërzitur.

     

    Një ditë, ndërkohë që Ademi ishte duke fjetur, Allahu, azze ue xhel, e krijoi Havën, nga një brinjë e krahut të majtë të Ademit. Me anë të kësaj brinje, Allahu krijoi gruan e parë, Havën, alejha selam. Kur Ademit i doli gjumi, gjeti një grua pranë tij. Ai e pyeti menjëherë: Kush je ti?Ajo u përgjigj: Jam një grua.Ademi, alejhi selam, e pyeti: Pse je krijuar?Hava u përgjigj: Që të gjesh prehje tek unë.

     

    Melekët, kur e panë që Allahu kishte krijuar një krijesë tjetër të ngjashme me Ademin, alejha selam, menduan ta vënë në provë Ademin. Meqë ai dinte emrat e çdo sendi, melekët e pyetën mbi emrin e Havës. Kështu, i thanë: Si e quajnë atë?Ademi u përgjigj: E quajnë Hava.

     

    Melekët, e pyetën sërish: Po përse ka marrë këtë emër?Ademi u përgjigj: Sepse është krijuar nga diçka e gjallë.

     

    Thotë Allahu, azze ue xhel: O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju. (En-Nisa: 1)

     

    Thotë Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem: “Dëgjoni porosinë time, ndaj grave bëhuni të kujdesshëm, sepse ato janë të krijuara nga brinjët. Briri anën më të lakuar e ka pjesën e epërme. Po deshe ta drejtosh, ai do të thyhet, e po e le ashtu siç është, do të ngel i lakuar. Prandaj dëgjoni porosinë time, ndaj grave bëhuni të kujdesshëm” .

     

    Natyra e gruas është e tillë që shpeshherë udhëhiqet nga ndjenjat dhe jo arsyeja. Nëse ti rrekesh t’i ndryshosh sjelljet, të cilat burojnë nga bota emocionale e pasur e saj, t’i po tenton të ndryshosh vetë natyrën e saj, gjë e cila është e pamundur. Me gruan duhet të sillesh me të butë dhe dashamirësi, jo me dhunë dhe imponim.

     

    Të dy jetonin si banorë të Xhenetit, hanin dhe pinin prej gjitha begative të tij, përveç asaj peme që e kishin të ndalur, thotë Allahu, azze ue xhel, në Kur’an lidhur me këtë: Ne thamë: O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë. (El-Bekare: 35)

     

    Që në fillim, Allahu, azze ue xhel, i tregoi Ademit, alejhi selam, mbi shejtanin, të cilin e etiketoi si armik të tij. Kjo ishte që para se shejtani të fillojë me vesveset e tij. Thotë Allahu në Librin e Tij: Pastaj thamë: O Adem, me të vërtetë që ky është armiku yt dhe i gruas sate, prandaj mos e lini t’ju nxjerrë kurrsesi nga Xheneti, se pastaj do të vuani në mjerim! Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.(Merjem: 117)

     

    Pra, ato që thonë se njeriu i parë ishte i pambuluar dhe më vonë filloi të mbulohet nuk është aspak e vërtetë. Zoti i kishte veshur njerëzit e parë që në Xhenet, ashtu siç i mëson si të vishen pasi do të vendosen në tokë.

     

    O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim. por, petku i devotshmërisë është më i miri.(El-A’raf: 26)

     

    Iblisi filloi t’i mashtrojë dhe t’i tundojë që të hanin nga pema, duke i thënë se kjo pemë është e përjetësisë dhe pushtetit. Na rrëfen Allahun, azze ue xhel, dhe thotë: Djalli u pëshpëriti, për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: Zoti juaj ua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.(El-A’raf: 20)

     

    Veç kësaj, filloi edhe t’u betohej se po u tregonte të vërtetën: Dhe iu betua atyre (duke thënë): Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë! Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij.(El-A’raf: 21-22)

     

    Në çastin kur ata hëngrën nga pema e ndaluar dhe thyen urdhrin e Allahut, u zhduken rrobat që kishin veshur dhe befasisht u shfaqën lakuriqë.

     

    Pasi e shijuan frutin, atyre iu zbuluan vendet e turpshme.(El-A’raf: 22)

     

    Kur ndodhi kjo, Ademit dhe Havës u erdhi turp. Natyra e njeriut e urren lakuriqësinë dhe nuk ndihet rehat. Kur panë se rrobat që i mbulonin, filluan të mbulohen me gjethe pemësh të Xhenetit.

     

    dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit.(El-A’raf: 22)

     

    Transmetohet se Hava ishte ajo e para e cila kishte ngrënë prej pemës dhe ajo e nxiste Ademin për të ngrënë prej peme. Prandaj, thuhet se Hava e tradhtoi Ademin, alejhi selam, dhe se cilësinë e mashtrimit, gratë e kanë fituar prej Havës.

     

    Ibni Haxheri kur flet rreth hadithit: Po mos të kishte qenë Havaja s’do ta tradhtonte gruaja burrin e saj” thotë se s’është tradhti në nder, Allahu na ruajttë. Si mund që nëna e njerëzimit të përshkruhet me atë veti të keqe, por e ka tradhtuar për shkak se anoi epshi i saj që të hajë prej peme dhe pastaj ia zbukuroi Ademit ngrënien prej saj. Kurse, gratë çka kanë ardhur pas saj, tradhtia e tyre është sipas asaj çka kanë vepruar.

     

    Pasi kishin ngrënë nga pema e ndaluar Allahu iu drejtua duke iu thënë: dhe Zoti i tyre i thirri: A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?(El-A’raf: 22)

     

    Kur e vërejtën gabimin e tyre, iu drejtuan Allahut të tyre me pendim të sinqertë, duke thënë: Ata thanë: O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.(El-A’raf: 23)

     

    Kështu zbriti Ademi dhe Hava në tokë dhe me ato zbriti edhe Iblisi. Vendi ku zbritën s’dihet saktë. Disa thonë në Indi, disa thonë afër Xhides (Arabi Saudite), por s’ka argument të saktë për asnjërën palë.

     

    Pema prej të cilës ngrënë Ademi dhe Havaja, s’dihet se çka është dhe si quhet. Thuhet se ishte pemë rrushi apo palmë etj., por s’ka argument për emrin e saj dhe të kishte qenë me rëndësi emri i saj, do ta kishte përmendur Allahu në Kur’an.

     

    Koha e qëndrimit e Ademit në Xhenet s’dihet saktësisht, disa thonë prej pas ikindisë e deri në perëndimin e diellit.

     

    Disa të tjerë thonë se ka qenë brenda një dite, argumentohen me hadithin që e transmeton Muslimi: “Dita më e mirë që ka lindur dielli është dita e xhumasë. Atë ditë është krijuar Ademi, atë ditë ka hy në Xhenet, atë ditë është nxjerr, dhe atë ditë do të bëhet Kiameti” .

     

    Pasi që e zbriti Allahu Ademin në tokë ia mësoi zanatin, e furnizoi me fryte prej Xheneti, pra këto fryte në tokë janë prej Xheneti vetëm se këto ndërrohen, e ata në Xhenet s’ndërrohen.

     

    Fëmijët e Ademit:

     

    Transmetohet se Hava i lindi Ademit dyzet fëmijë prej njëzet shtatzënive, disa thonë se i kishte 120 shtatzëni, dhe në çdo shtatzëni kishte nga një mashkull dhe femër. I pari ishte Kabili dhe motra e tij Kalima, dhe i dyti ishte Abdulmugithi dhe motra e tij Abdulmugitha. Fëmijë me emër Abdulharith s’kishte Ademi dhe hadithi që e cek këtë emër është i dobët.

     

    Habili dhe Kabili: Ishin të dytë djem të Ademit. Kabili ishte i vrazhdët dhe i ashpër në karakter. Ndërkohë që Habili ishte zemërmirë. Kabili merrej me bujqësi, kurse Habili merrej me bagëti.

     

    Asokohe, njerëzimi kishte nevojë për një kod familjar, sidomos lidhur me shtimin e njerëzimit, duke ditur se ata ishin vëllezër dhe motra të njëri-tjetrit. Kështu, ligji ishte i tillë, që djemtë e Ademit, alejhi selam, mund të martoheshin me këdo nga motrat, përveç binjakes. Nga ky ligj nuk bënte përjashtim as Kabili dhe as Habili. Sipas transmetimeve, thuhet se binjakja e Kabilit, ishte më e bukur se binjakja e Habilit. Kabili dëshironte që ai të martohej me binjaken, por kjo ishte e ndaluar sipas ligjeve të asaj kohe. Duke qenë se Ademi, alejhi selam, ishte profet, kishte dhe legjislacionin e tij.

     

    Një ligj tjetër, ishte dhe ai i kurbaneve, flijimeve të bagëtisë. Shenja që Allahu e ka pranuar kurbanin e dikujt, ishte që të zbriste një zjarr nga qielli dhe ta digjte. Kurbani që nuk digjej nga zjarri, ishte i refuzuar nga Allahu.

     

    Kur deshi Habili të ofrojë një kurban, zgjodhi kafshën më të mirë dhe e theri. Kurse Kabili ofroi një sasi drithërash të prishur. Një ditë më vonë, dy vëllezërit panë se kurbani i Habilit ishte pranuar nga Zoti, e kishte djegur zjarri. Kurse kurbanin e Kabilit e kishte refuzuar, nuk ishte djegur. Kjo ia shtoi urrejtjen dhe xhelozinë Kabilit për të vëllain. Në këtë çast, ndërhyn dhe shejtani i cili e nxit Kabilin të vrasë vëllain e tij. Vrasja ishte një risi e re për jetën e njeriut mbi tokë, ishte krimi i parë që po ndodhte në histori. I vendosur, Kabili vajti tek vëllai i tij Habili dhe i tregoi se dëshironte ta vrasë. Habili, nga ana e tij i tha se nuk do të reagonte duke tentuar ta vrasë. Ai i tha se nga kjo vepër nuk do të fitojë asgjë përveç gjynahut dhe ndëshkimit.

     

    Në një natë të errët dhe të zezë, Kabili vajti tek vëllai i tij Habili i cili ishte duke fjetur dhe e vrau. Ka shumë transmetime se si, por s’ka argument të saktë. Ishte krimi i parë në historinë njerëzore.

     

    Pasi e vrau, Kabili nuk dinte ç’të veprojë me kufomën. Ishte hera e parë që dikush vdiste nga njerëzit dhe nuk dinin si të sillen me të vdekurit. Mandej, Kabili e mbajti në krahë kufomën e të vëllait dhe e transportoi në një vend tjetër. Atje, Allahu e dërgoi dy sorra para Kabilit. Dy sorrat filluan të ziheshin me njëra-tjetrën, derisa njëra mbeti e ngordhur në vend. Sorra triumfuese, filloi të hapë një gropë me këmbët e saj. Pastaj e shtyu sorrën e ngordhur drejt gropës dhe e mbuloi me dhe.

     

    Nga kjo ngjarje, mësoi Kabili se çfarë duhet të bëjë me kufomën e të vëllait. Ai hapi një gropë menjëherë, e hodhi vëllain brenda dhe e mbuloi me dhe.

     

    Këtë ndodhi Allahu, azze ue xhel, e ka regjistruar në Kur’anin famëlartë, ku thotë: Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: Ty gjithsesi do të të vras. Tjetri tha: Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve. Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit. Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: Mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!E u bë nga të penduarit.(El-Maide: 27-31)

     

    Në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi, Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Çdo njeri që vritet padrejtësisht, një pjesë e gjynahut i shkon dhe djalit të Ademit, pasi ai është njeriu i parë që e shpiku vrasjen.”

     

    Me vrasjen e të vëllait, Kabili shpiku një risi dhe krim që nuk ishte dëgjuar deri atëherë. Për këtë, Zoti e ndëshkoi duke i dhënë pjesë të gjynahut të çdo të vrari padrejtësisht deri në Ditën e Kiametit.

     

    Thotë Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem: “Kush shpik një vepër të ligë, ai do të ketë gjynahun e tij dhe gjynahun e atyre që do e veprojnë pas tij, deri në Ditën e Kiametit.”

    Pasi vrau vëllain e tij, Kabili morri arratinë, duke mos dashur t’i dalë para babait të tyre, Ademit. Bashkë me gruan e tij, ai u vendos në fusha, ndërkohë që fëmijët e tjerë dhe prindërit jetonin rrëzë maleve.

     

    Fëmijët dhe pasardhësit e Kabilit u shtuan, por në mungesë të mësuesit shpirtëror, mes tyre filloi të përhapej degjenerimi moral. Kjo, edhe pse adhuronin një Zot të vetëm. Që atëherë, njerëzit u ndanë në dy kategori: Të mirët, që jetonin me Ademin dhe të ligët, që jetonin me Kabilin.

     

    Vdekja e Ademit, alejhi selam:

     

    Transmeton Tirmidhiu prej hadithit të Ebu Hurejres se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem: “Kur e krijoi Allahu Ademin, i fërkoi atij belin, dhe çdo person që do të lindë deri Ditën e Gjykimit bie nga beli i tij. Të gjithë njerëzve i krijoi një rreze nga drita ndërmjet dy syve. Pastaj ia paraqiti ata Ademit. Ademi tha: “O Zoti im kush janë këta” ? Allahu tha: “Këta janë pasardhësit e tu” . Pastaj pa njërin prej tyre dhe i pëlqeu drita që shndriste ndërmjet dy syve, dhe tha: “O Zoti kush është ky “? Allahu tha: “Ky është një person nga pasardhësit e tu, nga popujt e fundit dhe quhet Davud” . Ademi tha: “O Zoti im, sa ia ke caktuar jetën atij” ? Allahu tha: “Gjashtëdhjetë vjet” . “Shtoi atij dyzet vjet nga jeta ime, tha Ademi” . Kur iu plotësua jeta Ademit, erdhi meleku i vdekjes për t’ia marrë jetën.” Po mua më kanë mbetur edhe dyzet vjet, tha ai” . “Po ti ia dhe djalit tënd, Davudit dyzet vjet, i tha meleku i vdekjes” . Pastaj Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, shtoi: “Mohoi Ademi, prandaj pasardhësit e tij po mohojnë. Harroi Ademi, prandaj dhe pasardhësit e tij janë duke harruar. Gaboi Ademi, prandaj pasardhësit e tij janë duke gabuar” .

     

    Transmeton imam Ahmedi, se Xhumretu Sadij ka thënë: Pashë një të moshuar në Medine duke folur. Kur pyeta kush ishte, më thanë se ishte Ubej ibën Kab (një nga më të diturit e sahabëve rreth shkencave të Kur’anit dhe tefsirit). Ndër të tjera, ai tha: Kur Ademit, alejhi selam, iu afrua vdekja, u tha fëmijëve: Më ka marrë malli për fruta Xheneti. Fëmijët e Ademit, alejhi selam, shkuan të kërkojnë fruta dhe në rrugë u takuan me melekët (në formë njerëzish), që mbanin në duar qefinë dhe materiale të tjera për përgatitjen e të vdekurit. Melekët u thanë: O bijtë e Ademit! Çfarë po kërkoni?

     

    Ata u përgjigjën: Babai ynë është sëmurë dhe na kërkoi fruta Xheneti.” Melekët u thanë: Kthehuni, se babait tuaj i ka ardhur momenti i vdekjes.”

     

    Hava kur I pa, i njohu dhe lajmëroi Ademin, alejhi selam, menjëherë. Ademi i tha: Largohu prej meje, pasi e keqja më erdhi prej teje. Më lër me melekët e Zotit tim të lartësuar.

     

    Kështu, melekët e vdekjes ia morën shpirtin, e lanë, e veshën me qefinë, e lyen me parfum, i hapën varrin, i falën xhenazen dhe e mbuluan. Pra, ishin melekët ata që e përgatitën xhenazen e Ademit, alejhi selam, dhe e varrosën së fundmi.

     

    Pasi e varrosën, melekët u thanë fëmijëve të Ademit: O bij të Ademit! Kështu duhet të veproni me të vdekurit tuaj.

     

    Ademi, alejhi selam, e kishte kaluar jetën në bindje dhe konform ligjeve të Zotit. Hera e parë që i kishte thyer ligjet e Zotit ishte kur hëngri nga pema e ndaluar në Xhenet. Përgjatë nëntëqind e pesëdhjetë viteve jetë mbi tokë, ai nuk veproi gjynahe.

     

    Një vit pas vdekjes së Ademit, alejhi selam, ndërroi jetë dhe gruaja e tij Hava, alejha selam.

     

    Përgatiti: Irfan JAHIU

     

    LITERATURË E KONSULTUAR:

    1. Bidaje ue Nihaje,  ibën Kethiri
    2. Kisas el Enbija,  Omer Eshkar
    3. Kisas el Enbija,  Abdulkadir Hamed
    4. Mustefad min Kisas el Enbija,  Abdulkerim Zejdan
    5. Ehadith akideh el mutevehim ishkaluha fi sahihejn,  Sulejman Debihih
    6. Fethul Bari,  sherh Sahih Buhari,  ibën Haxher el Askalani.
  • TREGIMI I MUSAIT ME HIDRIN, alejhima selam

    TREGIMI I MUSAIT ME HIDRIN, alejhima selam

    Të gjitha tregimet në Kur’an dhe Hadithet e vërteta janë të sakta dhe reale. Ato na rrëfejnë dhe qartësojnë të gjitha ndodhitë siç kanë ndodhur, pa mangësi apo tepricë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ne po ta tregojmë ty historinë e tyre sipas së vërtetës.” (El-Kehf: 13); “Pa dyshim, të gjitha këto janë rrëfime të vërteta.” (Ali Imran: 62)

    Allahu, azze ue xhel, e urdhëroi të Dërguarin e Tij, t’ua rrëfejë njerëzve atë çka ia mësoi atij prej tregimeve, që ndoshta ata do ta meditojnë gjendjen e popujve të mëhershëm, e do të marrin mësime prej jetës së tyre dhe do të largohen prej rrugës së tyre në rast se ishin zullumqar, e do t’i pasojnë ata në rast se ishin në rrugë të drejtë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Tregoju atyre këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.” (El-A’raf: 176); “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kur’an) nuk është tregim i trilluar.” (Jusuf: 111)

    Padyshim se një prej tregimeve më të bukura që Allahu e cek në Kur’an është tregimi i Musait me Hidrin, alejhima selam. Ky tregim përçon parime dhe koncepte plot vlera e domethënie, prandaj vendosa që të flas rreth tij dhe t’i përmendi disa dobi që i kanë nxjerr dijetarët prej këtij tregimi.

    Musai, alejhi selam, një ditë prej ditëve ligjëronte ne mesin e Beni Israilëve, dhe prej këshillave të tij zemrat e tyre zbuteshin, sytë e tyre lotonin. Kështu ishte gjendja e gjithë popujve kur u këshillonin nga pejgamberët e tyre, për shkak se shpirtrat dhe zemrat e pejgamberëve ishin të mbushura me frikë dhe dashuri ndaj Allahut.

    Pasi që kryhet ligjërata, një njeri prej Beni Israilëve i drejtohet Musait, alejhi selam, dhe e pyet: “O Musa, a ekziston njeri më të mençur se ti? “ – Musai, alejhi selam, duke mos menduar aspak i thotë: “Jo, nuk ka njeri në këtë rruzull tokësor më të mençur se unë.”

    Kjo përgjigje e Musait nuk ishte prej mendjemadhësisë, por ishte një realitet. Ai ishte njëri prej pejgamberëve më të mëdhenj dhe më të dalluar, i treti me vlerë pas Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, dhe Ibrahimit, alejhi selam. Ishte i Dërguari i një populli të madh dhe të zgjedhur, iu dha Teurati i cili ishte dritë dhe udhëzim, dhe të cilin Allahu, azze ue xhel, e shkroi me dorën e Tij. Pastaj ishte ai që i foli Allahu te kodra Tur, dhe i dhuroi dituri të mjaftueshme, mirëpo edhe në rast se dituria e një njeriu është e madhe, prej edukatës është që kur të pyetet njeri si kjo pyetje, duhet të jetë modest para Allahut dhe të përgjigjet se Allahu e di më së miri se cili është më i mençuri në tokë.

    Prandaj, Allahu, azze ue xhel, e kritikoi Musain, alejhi selam, dhe ia bëri me dije se ekziston një njeri në një vend ku takohen dy detet, dhe i cili është më i ditur se ti. Musai, alejhi selam, kur e kupton këtë realitet, vendos që ta merr rrugën dhe ta takon atë njeri. E pyet Allahun se si të arrijë deri tek ai, Allahu, azze ue xhel, e urdhëron që të merr me vete një peshk dhe ta vendos në shportë dhe në atë vend ku do ta humb peshkun, atje është vendqëndrimi i atij njeriu të cilin e kërkon.

    Musai e merr peshkun e vendos në shportë dhe me vete e merr një djalosh, të cilin Allahu, azze ue xhel, nuk ia përmendi emrin në Kur’an, por në disa hadithe është cekur se ai ka qenë Jusha ibën Nun, i cili do të jetë pejgamber i Beni Israilëve pas vdekjes së Musait, alejhi selam.

    Musai, alejhi selam, i drejtohet djaloshit që e shoqëronte dhe i thotë:

    “Nuk do të pushoj së ecuri, derisa të arrij në vendin ku takohen dy detet, edhe nëse do të më duhet të udhëtoj për shumë kohë.” (El-Kehf: 60) Prej këtij ajeti shihet qartë vendosmëria e Musait që të kalojë një rrugë shumë të gjatë vetëm ta takojë atë njeri dhe të merr dituri prej tij. Mund të themi se Musai, alejhi selam, e meriton të jetë model për të gjithë kërkuesit e diturisë.

    Abdurrahman es Sadi, Allahu e mëshiroftë, gjatë komentimit të këtyre ajeteve thotë: “Vendosmëria e Musait që ta merr rrugën e kërkimit të diturisë dhe të largohet prej Beni Israilëve kur ata ishin nevojtarë për këshillat dhe diturinë e tij, është argument se lejohet një njeri i cili dëshiron ta merr rrugën e kërkimit të diturisë të largohet prej popullit të tij, edhe pse ata kanë nevojë për të, me qëllim që ai më vonë të kthehet edhe më i ditur”.

    Pas një rrugëtimi të gjatë Musai, alejhi selam, së bashku me djaloshin arrijnë te një shkëmb afër bregdetit dhe Musai i lodhur dhe i rraskapitur shtrihet në hijen e atij shkëmbi që të pushon. Pas një kohe ndodh një mrekulli e Allahut, azze ue xhel, peshku i cili ishte i ngordhur dhe shërbente si ushqim gjatë udhëtimit, ngjallet dhe fillon të lëviz drejt detit dhe futet në det në një mënyrë shumë të çuditshme:

    “Dhe, kur arritën në vendin, ku bashkoheshin dy detet, ata e harruan peshkun e tyre dhe ai rrëshqiti në det, duke e hapur atë si tunel. (El-Kehf: 61)

    Këtë mrekulli e vëren vetëm djaloshi, pasi që Musai, alejhi selam, ishte duke fjetur dhe kur ngrihet Musai prej gjumi djaloshi harron t’i tregojë për atë çka kishte ndodhur. Përsëri e marrin rrugën e kërkimit me shpresë se do ta takojnë atë njeri, dhe kur kaluan më tej, Musai i tha shoqëruesit të vet:

    Na jep drekën tonë, sepse jemi lodhur nga ky udhëtimi ynë” (El-Kehf: 62)

    Djaloshi tha:

    “Shiko! Kur ndaluam tek ai shkëmbi, unë e harrova peshkun. Vetëm djalli më bëri ta harroj e nuk ta thashë se peshku mori rrugën nga deti në mënyrë të habitshme.” (El-Kehf: 63)

    Djaloshi kur ia tregoi rastin Musait, u gëzua shumë dhe i tha: “Kjo është ajo që po kërkojmë.” (El-Kehf: 64)

    Edhe pse kishin kaluar një udhëtim të lodhshëm dhe të gjatë, vendosën që të kthehen në atë vend ku kishte humbur peshku. Kur arritën në vendin ku bashkohen dy detet e takuan atë njeri të shumëkërkuar:

    “Andaj u kthyen nëpër gjurmët e veta, dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije.” (El-Kehf: 64-65)

    Vendtakimi i cili përmendet në Kur’an ku bashkohen dy detet nuk dihet saktë se ku është. Disa prej dijetarëve thonë se është vendi ku bashkohen Deti i Kuq me atë të Bardhin, dhe se më herët mes tyre ka pasur tokë, e cila më vonë është hapur dhe mes tyre është bërë kanal. Po të kishte pasur rëndësi të madhe Allahu, azze ue xhel, dhe Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, do ta kishin përmendur emrin e këtij vendi, mirëpo përmendja e tij nuk luan rol shumë të madh dhe mendoj se s’ka nevojë që të humbim kohë që ta gjejmë se ku ka ndodhur takimi. Na mjafton ajo çka e ka cekur Allahu se takimi i tyre ka ndodhur në vendin ku takohen dy detet.

    Emri i këtij njeriu nuk dihet saktë. Disa prej dijetarëve kanë bërë përpjekje që ta gjejnë emrin e tij të vërtetë, mirëpo më së miri është që ta quajmë me emrin Hidër, ashtu si e ka emëruar Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, në hadithin që e transmeton Buhariu prej Ebu Hurejres, radijallahu anhu: “Hidri është quajtur me këtë emër, sepse është ulur në tokë të bardhë e cila menjëherë ka filluar të gjelbërohet prej tij.”

    Musai, alejhi selam, kur e takoi Hidrin e përshëndeti i pari me selam dhe Hidri u çudit pasi që nuk e kishte dëgjuar këtë përshëndetje më herët dhe i dukej e huaj dhe e panjohur. Prandaj, dijetarët thonë se ky vend ishte në një rajon ku jetonin jobesimtarë.

    Musai, alejhi selam, kur ia tregon Hidrit qëllimin e vizitës së tij se:

    “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?” (El-Kehf: 66) Hidri çuditet me Musain dhe i thotë: “A nuk të mjafton që Teuratin e ke në dorën tënde dhe se të vjen shpallja? “ – Pastaj i tha: “O Musa, unë kam dituri që ti nuk duhet ta mësosh dhe ti ke dituri që unë nuk duhet që ta mësoj.”

    Musa, alejhi selam, këmbëngulte që t’i lejojë t’i bëj shoqëri gjatë udhëtimit dhe të mësoj prej asaj çka nuk e dinte, por Hidri i thotë: “Ti nuk mund të durosh dot me mua!” (El-Kehf: 67) Hidri e dinte se Musai, alejhi selam, nuk do të mund të bëj sabër dhe se do t’i ngushtohet gjoksi kur ta sheh se çka do të vepron: “E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë?” (El-Kehf: 68)

    Musai, alejhi selam, i drejtohet duke i thënë: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.” (El-Kehf: 69)

    Atëherë Hidri pranon, por me një kusht: “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë.” (El-Kehf: 70)

    Musai, alejhi selam, pajtohet me këtë kusht dhe nisen së bashku drejt bregdetit që të hipin në anije dhe të kalojnë në anën tjetër të bregdetit. Pronarët e anijes ishin disa djelmosha të cilët me sa duket e njihnin Hidrin, për shkak se nuk i kërkuan të holla për transport. Pas një çasti Hidri e theu një dërrasë prej dërrasave të anijes dhe e hapi një vrimë, ndërsa Musai e harroi premtimin e tij dhe tha:

    Mos vallë, e hape vrimën për t’i mbytur udhëtarët e saj? Me të vërtetë, ke bërë punë të shumë të keqe” (El-Kehf: 71)

    Hidri ia rikujtoi Musait premtimin:

    A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua? “ (El-Kehf: 72) ndërsa Musai u përgjigj: “Mos më qorto për atë që harrova dhe mos më ngarko me vështirësi në punët e mia!” (El-Kehf: 73)

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Musai harroi herën e parë”.

    Pasi që zbritën prej anijes i panë disa fëmijë që loznin afër bregdetit. Hidri iu afrua njërit prej tyre, e shtriri për toke dhe ia këputi kokën. Kur e pa Musai këtë vepër u çmend, s’duroi dot dhe u nis drejt Hidrit duke ia mohuar veprën: “Përse vrave një njeri të pafajshëm që nuk ka vrarë askënd?! Vërtet që ke bërë një punë të tmerrshme” (El-Kehf: 74) Kurse Hidri iu përgjigj: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?” (El-Kehf: 75)

    Kjo ishte një sprovë e vërtetë dhe e rëndë për Musain, alejhi selam, sepse ai ishte mësuar të thërriste në të mirë dhe të ndalonte nga e keqja, sheriati i tij i ndalonte ato vepra çka i vepronte Hidri, ndërsa ai detyrohej të heshtë.

    Musai kërkoi edhe një shans prej Hidrit dhe i tha: “Nëse pas kësaj do të të pyes sërish për çfarëdo gjëje, atëherë mos më mbaj më në shoqërinë tënde! Tashmë ke arsye (të mjaftueshme) nga ana ime (për t’u ndarë prej meje)!” (El-Kehf: 76)

    Të dy vazhduan të ecin, derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t’u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë. Pa dyshim se kjo është në kundërshtim me fisnikërinë dhe bujarinë dhe është shenjë e besimit të dobët dhe të mangët. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush i beson Allahut dhe ditës së Fundit le ta gostisë dhe fisnikërojë mysafirin” .

    Rrugës duke ecur ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar dhe Hidri e drejtoi që mos të rrëzohet dhe kjo me të vërtetë ishte një gjest i çuditshëm prej anës së tij, për shkak se ata e refuzuan si mysafir, kurse ai u drejtoi murin në fshat. Kur e pa Musai këtë gjest të Hidrit tha: “Sikur të kishe dashur ti, mund të kërkoje shpërblim për këtë” (El-Kehf: 77)

    Me këtë Musai theu premtimin e dhënë dhe Hidri i tha: “Kjo është ndarja ndërmjet meje dhe teje. Unë do t’i shpjegoj ty ato gjëra për të cilat nuk munde të durosh” (El-Kehf: 78)

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Kishim pasur dëshirë që Musai të duronte më tepër që Allahu, azze ue xhel, të na rrëfente më shumë prej ndodhisë së tyre”.

    Hidri filloi t’ia tregojë Musait urtësitë dhe fshehtësitë e atyre veprave që Musai nuk mundi të bëj durim. Së pari e njoftoi për anijen: “Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve, që punonin në det. Unë desha ta dëmtoj, sepse prapa tyre gjendej një mbret i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë” (El-Kehf: 79)

    Kjo ishte urtësia e dëmtimit të anijes. Djelmoshat që e kishin në pronë anijen ishin të varfër dhe me këtë anijen furnizoheshin, ndërsa mbreti i asaj kohe ishte një zullumqar i cili çdo anije të mirë e merrte për vete. Prandaj, prej mëshirës së Allahut ndaj tyre unë e dëmtova një pjesë të saj, që mos t’ua merr mbreti anijen tërësisht dhe të mbetën pa furnizim. Dijetarët thonë se kjo është një rregull e madhe në sheriat, ku me veprimin e një sherri të vogël, mbrohesh prej një sherri më të madh.

    Kurse: “Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se (dashuria për të) do t’i çonte ata në të keqe dhe mohim, dhe dëshiruam që Zoti i tyre, në vend të atij t’u jepte një më të mirë, më të pastër dhe më të mëshirshëm” (El-Kehf: 80)

    Urtësia e vrasjes së djaloshit ishte se ekzistonte frika që prindërit prej dashurisë që ndjenin ndaj tij, të ndikohen prej tij dhe t’i çonte ata në të keqe dhe mohim. Allahu prej mëshirës së Tij dëshironte t’ua zëvendësojë atë djalosh i cili nuk i respektonte ligjet e Allahut, nuk i respektonte prindërit dhe lidhjet familjare, me një fëmijë më të mirë në fe dhe moral.

    Ndërsa: “Sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt” (El-Kehf: 81-82)

    Ky është argument i qartë se njeriu kur është i mirë me Allahun, përfiton ai vet dhe përfitojnë pasardhësit e tij. Po ashtu është argument se jetimët janë nën mbrojtjen e Allahut dhe Ai i mbron prej skamjes dhe vështirësive të jetës. Prandaj, mos të frikohet njeri se në rast se vdes fëmijët e tij do të vuajnë prej skamjes dhe varfërisë, se për to do të kujdeset Allahu, azze ue xhel.

    Në fund Hidri i thotë Musait: “Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim. Ky është shpjegimi i asaj, për të cilën ti s’munde të duroje!” (El-Kehf: 82)

    Pra, të gjitha ato çka i veprova nuk kanë qenë prej mendjes sime, por urdhëresa nga ana e Allahut që ti, o Musa, të marrish mësim dhe të bëhesh më i durueshëm.

    Hidri a ishte njeri i mirë (velij) apo lajmëtar (nebij) prej anës së Allahut?

    Dijetarët rreth kësaj çështjeje janë ndarë në mendime:

    Mendimi i parë: Hidri është njeri i mirë, e jo lajmëtar. Ky është mendimi i dijetarit Abdurrahman es Sadit, Allahu e mëshiroftë, pastaj mendimi i Shejh Uthejminit dhe disa të tjerëve.

    Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Citatet aludojnë se Hidri nuk ishte as lajmëtar e as i dërguar, mirëpo ishte njeri i mirë, të cilit Allahu ia kishte dhënë disa mrekulli që t’i tregojë Musait se ai nuk ishte më i dituri në tokë. Argument për këtë është ajeti: “dhe gjetën një prej robërve Tanë” .

    Abdurrahman es Sadi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Hidri nuk ishte as lajmëtar e as i dërguar, mirëpo ishte njeri mirë të cilin Allahu e kishte frymëzuar dhe ia kishte dhuruar disa mrekulli dhe dituri të posaçme që t’i tregon Musait se ai nuk është njeriu më i mençur” .

    Mendimi i dytë: Hidri është lajmëtar, e jo vetëm njeri i mirë. Ky është mendimi i ibën Kethirit, Muhamed el Emin esh Shenkiti, dhe shumë dijetarëve të tjerë.

    Argumentet e tyre janë:

    1- Fjala e Allahut azze ue xhel: “dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije” (El-Kehf: 65)

    Muhamed el Emin esh Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, thotë se fjala mëshirë e cila ka ardhur në këtë ajet, përsëritet përdorimi i saj në Kur’an si profeci. Shembull e kemi në suren Zuhruf:Sikur t’i kishte zbritur ky Kur’an ndonjë njeriu të madh prej njërit nga këto dy qytete. Vallë, a mos janë ata që e ndajnë mëshirën (profecinë) e Zotit tënd?” (Ez-Zuhruf: 31-32)

    2- Fjala e Allahut azze ue xhel: Musai i tha atij: “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty? Ai u përgjigj: “Ti nuk mund të durosh dot me mua! E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë”? (Musai) tha: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.” (Hidri) i tha: “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë!” (El-Kehf: 66-70)

    Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë se po të kishte qenë Hidri velij nuk do t’i fliste Musai me këtë gjuhë dhe nuk do të kërkonte udhëtim me të që të merr mësim.

    3- Mbytja e djaloshit nga ana e Hidrit, alejhi selam, nuk ishte përveç se me urdhër të Allahut dhe me shpalljen e Tij. Velijit nuk i takon të vepron kësisoj vepra për shkak se nuk ka mbrojtje nga ana e Allahut, kurse lajmëtarit i vjen shpallja dhe ka mbrojtje.

    4- Komenti i ngjarjeve dhe se ajo nuk ishte me vet dëshirën e Hidrit, alejhi selam, por me urdhrin e Allahut: Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim” (El-Kehf: 82)

    A është ende gjallë Hidri, alejhi selam?

    Pretenduan disa prej dijetarëve sikur imam Kurtubiu, imam Neveviu, ibën Salahi dhe disa të tjerë se Hidri, alejhi selam, është ende gjallë për shkak se ka pirë ujë prej burimit të Jetës, dhe se takohet me Iljasin, alejhi selam, për çdo vit në Qabe.

    Pretendimet e këtij grupi dijetarësh i kundërshton shumica e dijetarëve dhe thonë se ky pretendim është i pabazë, këtë s’e pranon as feja, as logjika dhe as tradita. Të gjitha hadithet me çka argumentohen janë të dobëta, të shpikura ose janë prej Israilijatëve. Po të kishte qenë Hidri, alejhi selam, gjallë do të detyronte të takohet me Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, dhe ta pasojë atë, për shkak se askujt nuk i takon të del prej sheriatit të Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, i cili është dërguar për krejt njerëzimin e jo vetëm për një popull.

    Pra, mendimi i atyre dijetarëve me të vërtetë është i çuditshëm dhe po ashtu i rrezikshëm, se disa prej grupeve të devijuar do ta marrin si argument që t’i argumentojnë bindjet e tyre të kota.

    A ka dalë Hidri, alejhi selam, prej sheriatit të Musait, alejhi selam?

    Disa grupe të devijuara si sufitë dhe ata që i pasojnë besimet e tyre, pretendojnë se lejohet me dal prej sheriatit të Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, ashtu si ka dal Hidri prej sheriatit të Musait. Ata thonë se dispozitat vlejnë për pejgamberët dhe njerëzit e thjeshtë, ndërsa evlijat dhe njerëzit e posaçëm nuk kanë nevojë për ato dispozita. Ata thonë se duhet gjykuar me atë që iu frymëzohet atyre në zemra nga ana e Allahut, ashtu si u frymëzua Hidri dhe veproi në kundërshtim me ligjet e Musait.

    Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, thotë se: “Këto thënie janë injoranca dhe devijime të mëdha, bile janë prej llojit më të madh të nifakut, kufrit dhe mohimit. Dihet qartë se Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, është dërguar për mbarë njerëzimin, arabët dhe joarabët, për njerëzit dhe xhinët, për mbretërit dhe asketët, për dijetarët dhe njerëzit e thjeshtë dhe se porosia e tij është e vlefshme deri në Ditën e Gjykimit dhe askush nuk lejohet që të del jashtë ligjit të tij, salallahu alejhi ue selem.

    Ata të cilët argumentohen me tregimin e Hidrit, duhet ta dinë se Musai nuk ka qenë i dërguar te Hidri dhe as Hidri nuk ka qenë te Musai. Këtë e dëshmon hadithi i saktë ku Hidri i thotë Musait: “O Musa, unë kam dituri që ti nuk duhet ta mësosh dhe ti ke dituri që unë nuk duhet që ta mësoj”. Musai, alejhi selam, ka qenë i dërguar te një popull, ndërsa Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, është dërguar për nbarë njerëzimin dhe me dërgimin e tij është plotësuar feja dhe se nuk pas tij të dërguar tjetër, prandaj nuk i lejohet askujt të dal prej sheriatit të tij dhe kush e pretendon këtë është qafir me pajtimin e gjithë muslimanëve”.

    Ibën Kajimi, Allahu mëshiroftë, thotë se ai i cili e pretendon këtë besim del prej Islamit tërësisht. Ai nuk prej evliave të Allahut, por prej evliave të shejtanit.

    Hidri, alejhi selam, i tha Musait se të gjitha veprat i ka vepruar sipas urdhrave të Allahut. A munden të dalin dijetarët e sufive dhe të thonë Allahu na ka urdhëruar të veprojmë diçka çka është e ndaluar në ligjin e Tij?

    Si t’i kishte thënë Hidri Musait, alejhi selam, se unë kam dituri që ti nuk duhet ta mësosh dhe ti ke dituri që unë nuk duhet që ta mësoj, kjo konsiderohet dalje prej sheriatit të Musait, kjo nuk i lejohet që ta thotë në sheriatin e Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, për shkak se Allahu, azze ue xhel, thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj” (El-Maide: 3)

    Shihet qartë se sufitë kuptimin e tregimit të Hidrit me Musain, alejhima selam, e kanë kuptuar gabimisht dhe se realiteti është krejt diçka tjetër. Disa prej tyre i shfrytëzojnë këto argumente t’i mbulojnë mëkatet e tyre dhe epshet e tyre dhe t’i fitojnë kënaqësitë e kësaj bote. Mirëpo duhet ta dinë se në rast se nuk pendohen prej këtij besimi të kotë, dënimi i tij është Xhehenemi i përhershëm.

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, i përcjell fjalët e Ebu Abasit, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë se ai që e ka këtë besim është qafir dhe nuk kërkohet prej tij pendimi, por vritet për shkak se kjo është mohim i asaj që e di çdo njeri se është në kundërshtim me fenë e Allahut azze ue xhel.

    Përgatiti dhe përktheu:

    Irfan Jahiu

     

     

  • Islami në Andaluzi

    Myslimanët jetuan në Spanjë për tetë shekuj. Gjatë kohës së tyre lulëzoi civilizimi islam, fama e tij arriti horizontin dhe myslimanët ndërtuan xhamitë, qytetet, pallatet, kalatë e fortesat më të bukura. Në jugun e saj shkëlqyen dituritë e ndryshme, artet dhe civilizimi.
    Kur Ebu Abdullah Sagir, mbreti i fundit i Andaluzisë dorëzoi çelësat e Hamrasë dhe lëshoi qytetin për të mos u kthyer më, hyri në të Ferdinandi e Izabela në një ditë të ftohtë pikëlluese të muajit janar në vitin 1492. Kështu qyteti i patrembur i Granadës ra në duart e spanjollëve. Dhe në atë natë përfundoi së ekzistuari një prej shteteve më të fuqishme në atë kohë, pas vuajtjes që pati në vitet e saj të fundit nga dobësia e përçarja. Humbi një prej civilizimeve më të ndritshme njerëzore që mbushte dëgjimin e shikimin, të cilën e ngritën myslimanët me gjakun e tyre që e ujiti këtë tokë dhe me shpirtrat e tyre të mbushura me besim të dhëna për ngritjen e shtetit islam.
    Ra Granada dhe dolën myslimanët, por Islami nuk doli. Mbetën gjurmët e tij deri në ditët e sotme, pavarësisht urrejtjes së thellë që kishin ndaj tij. Mbeti dëshmitar i madhështisë që lanë myslimanët, edhe ende mbetet njëri prej vendeve më atraktive turistike për Spanjën.

    Andaluzia në të kaluarën dhe në të tashmen

    Sot, Andaluzi quhet pjesa jugore e Spanjës, dhe shtrihet në jug të lumit Lugina e Madhe. Përfshin shtatë qytete: Kortobën, Seviljen, Kadishin, Xhejanin, Granadën, Malakën dhe Velben.
    Këto shtatë qytete sot quhen “Andaluthija” dhe kur thuhet për dikë që është andaluzian, qëllimi është te njëri prej këtyre qyteteve.
    Dhe nëse thuhet se kjo pjesë muzikore është andaluziane, qëllimi është që është nga jugu dhe bart shpirtin e karakteristikën e saj në melodi e ekzekutim.
    Ndërsa arabët me termin Andaluzi quanin tërë pjesën e Gadishullit të Ibirisë që ishte nën sundimin e tyre.
    Në dokumentin e Çlirimit të Parë të vitit 710-715, termi Andaluzi përfshinte tërë Gadishullin nga Ngushtica e Gjibraltarit në jug e deri në malin Albert që ndan Francën e Spanjën, që sot njihet me emrin Albrans e deri në bregdetin verior të Gjirit të Baskës, që njihet si Bregdeti Kunterbrije.
    Andaluzia nuk përfshin vetëm këta kufij gjeografikë, apo gjire apo bregdete, por ajo është një civilizim madhështor e i plotë.
    Dr. Husejn Muenis, një historian i njohur, në librin e tij “Udhëtimi në Andaluzi, firdevsin e premtuar”, e përshkruan me këto fjalë: “Andaluzia nuk është gjurmë e së kaluarës. Nuk është as xhami e Kortobës, e as pallat i Seviljes a Hamraja e Granadës. Por, ajo është një qenie që ende jeton, që ende merr frymë. Ajo është toka e Andaluzisë, me pemët, malet e shkëmbinjtë e saj. Ajo është një qenie e gjallë e plotë, që gjithsesi duhet ta shohësh të plotë që të kuptosh se kush është. Dhe këto gjurmë të mbetura janë pjesë e stolisë me të cilën është dalluar, apo disa rroba të cilat i ka bartur. Stolia dhe rrobat tregojnë një pjesë të burrit, por ai nuk është burrë”.

    Spanja dhe çlirimi islam

    Myslimanët vazhduan me çlirimet e tyre që u shtrinë në lindje deri në Indi dhe në vendet pas lumit. Vazhduan marshimin e tyre drejt Perëndimit, derisa pushtuan tërë Afrikën Veriore e arritën në Marokun e largët. Nëse flasim për ekspeditat ushtarake të cilat ndodhën në fushëbetejë në Lindje dhe Perëndim, do të marrë shumë kohë, por do të ndalemi te ndodhitë më të rëndësishme të cilat ndryshuan rrjedhën e tërë historisë njerëzore.
    Çlirimet islame pasuan njëra pas tjetrës, që nga mësymja e parë islame, që kur ushtritë myslimane u nisën nga Egjipti në kohën e emevijve për përhapjen e dritës islame nga Deti Mesdhe e shtetet që kishin dalje në të e deri në Marok. Pati batica e zbatica, humbje e fitore, që përfundojnë me arritjen e Ukbetu ibn Nafi’ë në Oqeanin Indian, ku themelon qytetin e Kajrevanit që të jetë pikëmbështetje e çlirimeve tjera islame. Dhe kur arrin në Oqeanin Indian, kthehet nga deti dhe ngrit duart nga qielli duke i rrjedhur lotët e me zemër të frikësuar lut Zotin e tij: “Unë nuk kam dalë si mosmirënjohës e as i gëzuar. Dhe Ti e di se unë e kërkoj shkakun, të cilin e kërkoi robi yt Dhulkarnejni, që të adhurohesh e të mos të bëhet shok Ty. O Zot, po ta dija se pas këtij deti gjendet toka do ta kisha nxitur që të jetë në rrugën Tënde”.
    Këto çlirime arritën një intensitet më të madh kur udhëheqjen e ushtrive islame e mori Musa ibn Nesir, i cili arriti ta bindë halifen në Damask për çlirimin e Spanjës. Musa ibn Nesiri ishte njeri ambicioz, trim, i matur. Mendonte gjatë për çdo çështje para se ta ndërmerrte dhe e shqyrtonte nga të gjitha anët. Vendosi (dhe sytë i kishte nga Evropa përmes Spanjës) që të formonte një flotë detare për të zotëruar Afrikën Veriore nga deti e toka. Dhe me të vërtetë arriti që ishujt Mijurita, Menurita dhe Beljar t’i vërë nën zotërimin islam. Në të njëjtën kohë arriti të qetësonte rebelimet në Marok. Marshoi me ushtrinë e tij deri në qytetin Tanxha, të cilën e pushtoi dhe emëroi udhëheqës të saj, komandantin e njohur Tarik ibn Zijadin.
    Përcillte konfliktet për pushtet, të cilat ndodhnin të tokën spanjolle dhe ishte i njoftuar për padrejtësinë, persekutimin e taksat e larta që vuanin populli. Gjithashtu e dinte rëndësinë e Spanjës, që përmes saj të përhapej Islami në Evropë. Prandaj, e priste rastin dhe e studionte gjendjen. Dhe më në fund erdhi momenti i shumëpritur. Si zakonisht nuk ngutej, por dëshironte ta njihte më mirë armikun. Prandaj, urdhëroi njërin prej komandantëve të tij berberë të quajtur Tarif ibn Malik, që me 400 ushtarë e 100 kalorës të kalonte në tokën spanjolle për të vëzhguar gjendjen. Tarifi arriti të realizojë fitoren e parë islame në Spanjë, që e shtyri Musa ibn Nesirin të urdhërojë komandantin e tij Tarik Ibn Zijadin të përgatitet për kalimin e Ngushticës së Gjibraltarit, që më vonë u quajt sipas emrit të këtij trimi të madh. Dhe ai niset me emrin e Zotit që të çlirojë tokat spanjolle.
    Myslimanët ende e kujtojnë dhe do ta kujtojnë me nder e respekt komandantin e tyre Tarik ibn Zijadin, i cili derisa ishte i ulur në kalë shikonte fytyrat e ushtarëve të tij duke vërejtur frikën në sytë e tyre, pasi panë madhështinë e ushtrisë armike. Pasi pa këtë, ngriti zërin si bubullimë duke frikësuar shpirtrat, qetësoi lëvizjen e kuajve dhe zgjati qafat e ushtarëve që t’u mos u kalojë asnjë fjalë nga fjalë e komandantit, i cili dogji anijet pasi që arriti në bregdetin e fundit dhe zbriti ushtarët e tij duke u thënë:
    “O njerëz! Ju në këtë ishull jeni më të humbur se bonjakët në gostinë e keqe, dhe nuk ka shpëtim për ju. Deti është prapa jush e armiku para jush. Forcat e përforcimet e tij janë të shumta, kurse ju nuk keni rrugëdalje tjetër përveç shpatave tuaja, e as ushqim përveç asaj që do ta merrni nga armiku juaj me këto shpata. Duhet ta dini që fitorja ndaj kësaj ushtrie të madhe është e mundshme, nëse i lejoni vetes të vdisni. E unë nuk kërkoj nga ju asgjë prej të cilës vetë do të lirohem, e as nuk do t’ju ngarkoj me asnjë plan, e të mos fillojë vetë i pari. Pasi të takohemi me armiqtë do të ndeshem me sunduesin e tyre dhe do ta vras, nëse dëshiron Allahu. Të përballemi me ta së bashku. E nëse vdes para se të arrij te ai, betohuni me vendosmëri se ata do të zhgënjehen pas vdekjes sime”.
    Fjalë të sinqerta e të vendosura, që nuk mund të humbë ai që i bart. Pasi që Tariku përfundoi fjalimin, vdekja ishte më e dashur për ushtarët e tij se jeta. Ata ishin të dërguarit e Islamit në Evropën e padrejtë, duke luftuar me moton “Fitore apo rënie shehid”. Nuk kaloi shumë kohë derisa grupe të spanjollëve filluan të iknin të frikësuar e të humbur. Filluan të iknin duke mos iu kushtuar vëmendje asgjëje, por duke kërkuar shpëtim nga vdekja e papritur. Ndërkaq, fitorja gëzoi të gjithë në Afrikën Veriore e botën islame.
    U grumbulluan njerëzit për të kaluar detin në drejtim të tokave të reja të prirë nga komandanti i shquar, Musa ibn Nesir, ushtria e të cilit u bashkua me ushtrinë e Tarikut. Pas kësaj, qytetet spanjolle e portugeze binin njëra pas tjetrës. Ibn Nesiri i bëri sexhde Allahut si shenjë falënderimi, derisa mendonte për një plan gjigant. Pse të mos vazhdojë marshimin e tij deri në Francën Jugore? Pastaj të pushtojë tërë Evropën, duke ia bashkuar shtetit islam të pafund Francën, Italinë, Gjermaninë dhe Ballkanin. Të pushtojë edhe vetë Konstadinopojën, kryeqytetin e Perandorisë bizantine, e me ushtrinë e tij të kalojë Azinë e Vogël dhe kështu përmes Evropës të arrijë në Damask, kryeqytetin e shtetit emevij.
    Po të arrihej kjo ëndërr, do të ndryshonte plotësisht harta e botës dhe e tërë Evropa do të bëhej pjesë e botës islame. Por, halifeja emevij refuzoi propozimin e Musa ibn Nesirit dhe i kërkoi që të forcojë Islamin në tokat e çliruara. Dhe më vonë e thirri edhe Tarik ibn Zijadin që të kthehej në Damask.
    Dhe kështu, Spanja (Andaluzia) u bë pjesë e botës islame. Kjo ndodhi në të njëjtën kohë kur ushtritë islame arritën në nënkontinentin indian.

    Kryqtarët përjetojnë humbje

    Pas kësaj, pasuan humbjet e kryqtarëve në betejën e Zelakës me Jusuf ibn Tashefinin, në të cilën vrau mbretin e Kasteljes, Alfonsin VI. Kjo ndodhi në vitin 1086. Pastaj fitorja e Mensurit në betejën e Erkut, ku u vranë prej armiqve më shumë se 100 mijë, ndërsa u zunë robër me dhjetëra mijë. Spanjollët nuk mund të pajtoheshin me këto humbje të dhimbshme, por dëshironin të hakmerreshin. Por, Mensuri iu shkaktoi humbje të madhe, dhe ua rriti plagën e hapur, duke bërë që të përgatiten për hakmarrje në kohën e duhur.
    Halifeja el-Mensur bilah Jakub ibn Jusuf siç cekëm më lart, arriti fitore të madhe kundër spanjollëve në betejën e Erkës, që nuk është më e vogël se ajo e arritur në Zelaka. Kështu, arritën që të rregullojnë problemet e Andaluzisë për një kohë të shkurtër. Por, barra e shtetit të tyre, i cili përfshiu Marokun arab u rëndua. Nuk shkoi shumë kohë kur u mundën në betejën e quajtur Altel, të cilën transmetimet spanjolle e quajnë Las Nafas Di Tuluz. Për këtë betejë, spanjollët kërkuan ndihmë nga vëllezërit e tyre të krishterë në Evropë, thirrje të cilës iu përgjigj një numër i madh i vullnetarëve gjermanë, britanikë e francezë. Kjo betejë konsiderohet si përfundim i sundimit faktik të myslimanëve në Andaluzi dhe shenjë e rënies së kufijve të shtetit islam atje. Si rezultat i përçarjeve të hidhura mes myslimanëve, qytetet më të mëdha islame ranë në duart e mbretërve të krishterë.
    Por, si u arrit kjo dhe cilat ishin shkaqet? Spanjollët e kuptuan që mënyra më e mirë për fitimin e luftës ishte sulmi gradual ndaj tokave islame dhe brejtja e tyre pjesë-pjesë, si dhe konfliktet mes mbretërve të Andaluzisë. Ky plan pati sukses të madh në shkatërrimin e shtetit islam në atë pjesë të largët të botës.

    Granada guximtare u rezistoi katër mbretërve spanjollë

    Dhe, pas gjithë këtyre përmbytjeve shkatërrimtare, u përpoqën shumë të parandalojnë rrezikun nga armiku, por pa sukses. Disa prej tyre shpejtuan në vende të fortifikuara dhe u strehuan aty. Një prej tyre ishte Muhamed ibn Ahmeri, i cili ishte një kalorës trim dhe largpamës. Ky me ushtarët e tij me shpejtësi pushtoi Kalanë e vjetër të Granadës, që quhej Hamraja e vjetër. Formoi një principatë arabe islame dhe e fortifikoi mirë.
    Ky njeri me shkathtësitë e tij arriti të formojë një mbretëri, që përfshiu gjithë pjesën jugore të siujdhesës të lumit Vadi i Madh. Në këtë mbretëri erdhën me mijëra myslimanë prej vendeve të cilat i pushtuan spanjollët, duke bartur me vete esencën e civilizimit andaluzian.
    Në këtë pjesë të vogël jugore jetoi mbretëria islame e Granadës, e cila vazhdoi t’u rezistojë e vetme katër mbretërve spanjollë deri në vitin 1492.

    Shkaqet e shkatërrimit të shtetit

    Drita islame vazhdoi të ndriçojë në rrafshinat e Andaluzisë për tetë shekuj me radhë. Në pjesën e parë të saj ishte shumë e përhapur dhe e shkëlqyer, ngase buronte nga një burim i përbashkët dhe shkëlqente me një vigjilencë të plotë. Por, në pjesën e dytë u përhap përçarja. Shteti u nda në shtete të vogla, ku sunduesit e tyre luftonin për pushtet, u dobësuan shpejt dhe bashkëpunonin me armikun. Ndërkohë, Spanja evropiane afrohej, derisa pesë mbretëritë e saj u bashkuan në Mbretërinë e Kasteljes. Ndërsa Spanja islame ndryshoi në saje të përvetësimit të asaj që quhej “Kolona e pestë e arabëve dhe berberëve” derisa nuk mbeti në duart e myslimanëve vetëm Granada.
    Pushteti në këtë qytet të mbetur mbeti te familja Benu Ahmer dhe përfundoi me të fundin e tyre, Ebu Abdullahun e vogël, i cili komplotoi kundër babait të tij.
    Sulltani Ebu Hasani ishte në kulmin e konfliktit me spanjollët, të cilët e sulmuan nga çdo anë. Nuk pushonte nga një luftë derisa hynte në luftën tjetër dhe as të kthehej prej një çlirimi derisa të përgatitej për çlirim tjetër. Dhe derisa kthehej nga një prej fitoreve të tij ku ishte plagosur, djali i tij Ebu Abdullahu i vogël ia mbylli portat e Granadës, duke mos e lejuar të hyjë në kryeqytetin, shtëpinë dhe te familja e tij. E tillë ishte gjendja në këtë kohë!
    Qytetet e mëdha, për të cilat u shkruan vëllime të shumta në historinë e civilizimit arabo-islam, mbetën jashtë nga luftërat kryqtare, të cilat u ndërmorën nga mbretër, prapa të cilëve ishin me mijëra kalorës të veshur me parzmore. Prapa malit Albert me mijëra luftëtarë të tjerë kryqtarë pranuan thirrjen e Papës. Dhe prapa detit, flotat e shteteve italiane të Gjenovës, Bizës dhe Emalkës u ngarkuan me njerëz të etur që të mos u ikë plaçka e luftës. Të gjithë këta së bashku me luftëtarë nga Franca, Britania dhe Gjermania u bashkuan që të përkrahin Ferdinandin me ushtri që arritën horizontin, për të asgjësuar çdo arab e mysliman që gjendej në atë tokë.
    Megjithëkëtë, populli i Andaluzisë u mbrojt dhe tregoi heroizëm të paparë. Banorët e Kortobës, Xhejanit, Seviljes, Belnisit dhe Beljarit u mbrojtën dhe nuk u dorëzuan, vetëm pasi që humbën shpresën e fundit për rezistencë.
    Ebu Abdullahu i vogël, mbreti i fundit i Granadës nuk e dinte që Ferdinandi V, mbreti i Kasteljes i kishte drejtuar sytë nga Granada, nusja e Andaluzisë dhe vendi i Hamrasë dhe ajo që mbeti nga firdevsi i humbur. Ai u frikësua për veten e pushtetin e tij. Prandaj, e dërgoi te armiku një përfaqësues të tij, që t’ia ndante një pjesë të tokës që do ta sundonte nën emrin dhe nën flamurin e tij. U arrit marrëveshja e padrejtë dhe erdhi momenti i dorëzimit. Por, një grup i kalorësve të Granadës që ishin më të mirët, kanë ruajtur faqe të historisë me emrat e tyre. Në krye të tyre ishin Musa ibn Ebi Gasani, Neim ibn Ridvani, Muhamed ibn Zaidi dhe me mijëra ushtarë tjerë të panjohur që e kundërshtuan dorëzimin, qëndruan, u mbrojtën dhe vdiqën si trima të vërtetë.

    Gasani – kalorësi i kalorësve

    Musa ibn Ebi Gasani ishte shembull i kalorësisë arabe, e cila mbushi faqe të ndritshme në historinë islame. Ishte i pakrahasueshëm në etikën e shpatës dhe gjuhës dhe trimëritë e tij ishin bisedë e tubimeve në Spanjën islame e të krishterë.
    Ibn Ebi Gasani i mllefosur i tha mbretit: “O mbreti i myslimanëve! Thuaj mbretit të krishterëve se myslimani nuk e pranon padrejtësinë, derisa është duke e bartur shpatën. Dhe më shumë preferon të ketë varrin nën rrënojat e Granadës sesa të ketë pallat në kopshtet andaluziane”.
    Ebu Abdullahut të vogël, nuk i mbeti tjetër vetëm që të largojë të gjithë zotërinjtë e udhëheqësit dhe të prishë marrëveshjen e të bëjë përgatitjet për mbrojtje. Dhe një ditë, njerëzit panë 80 mijë ushtarë të Kasteljes që u ishin drejtuar Kalasë së Granadës për ta rrethuar. Musau ndau mbrojtjen e qytetit komandantëve tjerë, ndërsa vetë mori udhëheqjen e kalorësisë, të cilin e ndihmonin edhe Muhamed ibn Ebi Zaidi dhe Neim ibn Ridvan. U ndez flaka e luftës. Kalorësia e Gasanit ndërmori sulme të njëpasnjëshme, por më vonë kasteljanët konsoliduan rrethimin e Granadës, shkatërruan gjithë të mbjellat dhe i shtuan përforcimet nga toka e deti. Kur durimi po përfundonte, udhëheqësi i qytetit pa që uria pa dyshim po vinte dhe mbrojtja ishte një ngarkesë, prej të cilës nuk kishte dobi.
    Por, Musa Gasani i nxiti me fjalët e tij: “Zemrat duruese të muxhahidëve (luftëtarëve) nuk dinë për pikëllim”.
    Pastaj urdhëroi që të hapen portat dhe me batalionin e tij doli që të ndeshej me armikun ballë për ballë. Kalorësve të tij u tha: “Nga Andaluzia nuk ka mbetur asgjë përveç tokës mbi të cilën qëndrojmë. E nëse e humbim, do ta humbim atdheun dhe lirinë”. Pastaj me një sulm të suksesshëm i nxori armiqtë nga qyteti, por ata u kthyen dhe e rrethuan përsëri.
    Beteja vazhdoi për ditë të tëra me baticat e zbaticat e saj, derisa ushtarët u lodhën dhe i preku pikëllimi. U rikthyen në qytet sa që nuk mbeti në fushëbetejë askush!
    Në mbrëmje, mbreti mblodhi dijetarët, udhëheqësit e komandantët, të cilët e shqyrtuan këtë çështje nga të gjitha aspektet dhe u pajtuan që të dorëzohen.
    Aty u ngrit vetëm Musa Gasani, i cili kundërshtoi këtë mendim, nuk u pajtua me dorëzimin si dhe u përpoq që në zemrat e dëshpëruara të ngjallë shpresën. Prandaj tha: “O popull! Mundësitë tona mbrojtëse nuk janë harxhuar akoma. Ende zotërojmë mjete, të cilat e bëjnë të pamundshmen dhe arrijnë mrekulli. Prandaj, të ngjallim te populli shpirtin e sakrificës, t’u japim armë dhe të luftojmë me ata deri që të shkatërrohemi të gjithë. E nëse çdo njëri prej jush nuk e gjen varrin që e fsheh, ai nuk do të humbë nga qielli që e mbulon. Dhe më mirë për ne është të numërojmë ata që kanë luftuar e vdekur, sesa të numërojmë ata që janë dorëzuar!”
    Por, oratoria dhe fjalët shpresëdhënëse të Gasanit nuk patën efekt këtë radhë. Të gjithë preferonin dorëzimin.
    Kur pa disa komandantë duke dalë për të biseduar me armikun për zbatimin e marrëveshjes, i vloi gjaku dhe tha: “O popull! Mos e mashtroni veten dhe mos mendoni se spanjollët do t’i përmbahen marrëveshjes. Vdekja është ajo që i frikësoheni, por nëse dorëzoheni do ta shihni që qyteti ynë do të shkatërrohet, pasuria jonë do të plaçkitet, gratë tona do të përdhunohen, xhamitë tona do të njollosen, balli do të na përdhoset, trupat tanë do të goditen, gjaku ynë do të rrjedhë, dhe kujtimet tona do të shkatërrohen. Do të shihni tërë këtë, por edhe më tmerrshëm, o ju të cilët e keni mëri vdekjen fisnike, ndërsa unë pasha Allahun nuk do ta shoh!”
    Pastaj me shpejtësi doli nga “Salla e Zezë” e pallatit Hamra dhe duke mos çarë kokën për askënd shkoi në shtëpinë e tij. Veshi rrobat, veshi parzmoren, mori armët, hipi në kalë dhe doli nga një prej portave të Granadës, duke depërtuar në ushtrinë armike. Luftoi me ta derisa iu thye shpata në dorë, dhe pastaj ra pa vetëdije, pasi që kishte vrarë një numër të madh të kalorësve spanjollë.
    Granada u mbrojt para rënies së saj me një heroizëm të rrallë dhe toka e saj u ujit me gjakun e luftëtarëve trima. Në fushëbetejën e nderit ranë shumë prej kalorësve e banorëve të saj, ndërsa Gasani me shokët e tij shënoi faqe të rralla në histori.
    Dhe në një ditë të ftohtë e të mërzitshme të muajit janar të vitit 1492, Ebu Abdullahu i vogël ia dorëzoi çelësat e Hamrasë e kështjellave tjera mbretit Ferdinand, që të hynë kryqtarët në Granadë nga të gjitha portat.
    Ebu Abdullahu i vogël u ndal te mali Rejhan që t’ia hedhë shikimin e fundit Granadës, ndërsa spanjollët këtë vend e quajtën “Psherëtima e fundit arabe”. Transmetimet na kujtojnë që nëna e tij Ajsheja pyeti për të. Iu tha që ai po qan. Prandaj tha:
    “Qaj si grua mbretërinë e humbur, pasi që nuk e ruajte si burrë”.
    Pas dorëzimit gjithmonë pason nënshkrimi i marrëveshjes.
    Ne, nuk e tregojmë këtë përveç që të marrim mësim dhe si paralajmërim.
    Në marrëveshje shkruante që myslimanët gëzonin të drejtën e adhurimit e banimit dhe se gëzonin liri të plotë në shtëpitë e tyre. Asnjë spanjoll nuk kishte të drejtë të hynte në këto shtëpi, si dhe në Granadë duhej të ktheheshin të gjithë robërit myslimanë nga e gjithë Spanja. Mbreti, mbretëresha dhe ndihmësit e tyre u pajtuan për respektimin e kësaj marrëveshjeje dhe zbatimin e saj.
    Por, asgjë nga kjo nuk ndodhi! U realizua ajo që tha kalorësi i kalorësve Musa ibn Ebi Gasani kur refuzoi dorëzimin.
    Nuk kaloi kohë e gjatë, kur mbretëresha Izabela nxori një urdhër të neveritshëm drejtuar gjithë myslimanëve në gjithë Andaluzinë, ku ua paraqiste një prej dy zgjidhjeve, ose vdekjen ose pranimin e krishterimit. Që të dyja të hidhura.
    Njerëzit, në çdo vend u ngritën kundër këtij vendimi të neveritshëm, ndërsa spanjollët i shkatërruan e i dogjën shtëpitë e xhamitë dhe i detyruan të bëhen të krishterë përmes detyrimit e forcës. Shumë e injoruan këtë, por Kisha nuk i la me kaq. I detyroi të hanë mishin e derrit, të pinë alkoolin, të mblidhen për meshë në kisha, mosbërjen synet e më vonë i vuri para asaj që u quajtën “Gjyqet e Inkuzicionit”. Dhe kjo ishte njëra prej metodave më të tmerrshme për dënim në historinë njerëzore.
    Si rezultat i këtyre urdhrave të padrejta u bënë kryengritje të shumta në çdo vend kundër kësaj poshtërsie, por shumë shpejt u shuan me egërsi. E tillë ishte kryengritja e quajtur Xhebal Beshurat, e cila vazhdoi për dy vjet të plota deri që u shtyp me një tmerr të paparë nën sloganin “Jo robëri, por vrasje pa butësi”. U vranë pleqtë, gratë e fëmijët, u dogjën kalorësit në zjarr, dhe iu zu fryma me tym sa që menduan se kishin shtypur çdo zë.
    Por të gjitha këto metoda të padrejta nuk i detyruan myslimanët e Andaluzisë të braktisin fenë, gjuhën, kombësinë dhe zakonet e tyre. Ushtruan fshehtazi fenë e tyre dhe ndërtuan xhami të vogla të fshehta brenda shtëpive të tyre, ku mblidheshin dhe falnin namazet. Të rinjve ua mësuan fenë e gjuhën e tyre dhe i edukuan sipas zakoneve fisnike arabe e moralit të lartë islam. Me aq sa kishin mundësi, largoheshin nga ajo që i detyronte Kisha. Priftërinjtë nuk i thërrisnin në shtëpitë e të sëmurëve të tyre, vetëm pasi që vdisnin apo nuk mund të flisnin, që të mos i jepnin mundësi priftit t’u mësonte ndonjë gjë para vdekjes që binte ndesh me parimet islame.
    Kur detyroheshin të martoheshin në kishë, ktheheshin në shtëpi dhe martoheshin sipas ligjeve islame.
    Mbretërit dhe njerëzit e fesë mendonin se do të asgjësonin çdo gjurmë islame e arabe në Gadishullin e Iberisë pas një gjenerate apo dy. Nëse pagëzimi nuk i bëri të krishterë baballarët, fëmijët do të jenë të tillë. Por, pas kalimit të 100-vjetëve panë që myslimanët ende ishin pasardhës së myslimanëve, siç ishin më parë baballarët dhe gjyshërit e tyre. Prandaj, pranuan dështimin e tyre në asgjësimin e vitalitetit të këtij populli dhe pranuan që nuk arritën asnjë sukses në krishterimin e tyre.
    Për këtë, në vitin 1609 vendosën largimin e gjithë atyre që kishin mbetur në Spanjë me prejardhje myslimane pa përjashtim. Këtë e ushtruan me forcë e urrejtje të madhe sa që pretenduan në vitin 1610 se nuk ka mbetur asnjë mysliman në Gadishullin e Iberisë.
    Por e vërteta siç e përforcojnë shumë të tjerë ishte që ky fanatizëm spanjoll nuk arriti të nxjerrë nga Andaluzia bazën e shkëlqyer të civilizimit të ndritur islam, të cilin e themeluan dhe e trashëguan atje. Ky civilizim është rezultat i një pune të zellshme e të vazhdueshme që zgjati për tetë shekuj.
    Turistë të shumtë, nga vende të ndryshme të botës udhëtojnë sot në Spanjë, ngase dëshirojnë të shohin trashëgiminë e lënë nga myslimanët, e cila ende ekziston duke luftuar zakonet e kohës.
    Dhe ajo që është më tragjike e më e dhimbshme për myslimanët është që spanjollët të cilët i persekutuan, e tepruan në mundimin dhe fyerjen e tyre, shumica prej tyre ishin pasardhës të atyre që jetuan me myslimanët. Këta jetuan në shtetin islam të lirë e të nderuar, nga myslimanët patën sjelljen më të mirë e më të drejtë dhe u zhvilluan duke ushtruar të drejtat e tyre në atë mënyrë që nuk u njoh nga asnjë shtet që sundoi në Spanjë para hyrjes së Islamit në Gadishullin e Iberisë, sikurse nuk e njohu as Evropa në atë kohë.

    Civilizimi islam në Andaluzi

    Çlirimi i Spanjës nga myslimanët ishte fillimi i zhvillimit të civilizimit islam dhe rritja e tij në Evropë. Ky civilizim lulëzoi shumë në aspektin shkencor e letrar si dhe shkencave kur’anore. Evropa arriti një shkallë civilizimi që nuk kishte njohur deri atëherë.
    Pas çlirimit, myslimanët treguan një tolerancë fetare e shoqërore me të gjitha grupet që kishin lidhje, sa që njerëzit nga të gjitha vendet arritën në këtë pjesë të shkëlqyer të Evropës për të mësuar për etikën e shkencat e ndryshme.

    Antikiteti arabo-islame

    Dr. Husejn Muenis në librin e tij “Udhëtimi në Andaluzi” thotë: “Prej veriut të Gadishullit e deri te malet Albert të njohur si Brans
    shtrihej Andaluzia. Qytetet e këndshme të cilat i shohim atje, ne jemi të zotët e tyre ndërsa baballarët tanë ndërtuesit e tyre. Larida, Veshkah, Tutileja, Benbeluna e shumë të tjera, të gjitha ishin qytete arabe dhe ende deri në ditët e sotme e ruajnë shpirtin e tyre arab. Gjërat antike që kanë mbetur në të duken si gërmadha që lundrojnë mbi ujë nga një anije gjigante që e lëkundin valët. Megjithëkëtë, ky vend i largët i dashur është afër teje. Jeton me ty dhe në ty.
    Dhe vazhdon: T’i lëmë gjërat antike në mendime e dituri. Ky është libër i njohur. Ne kemi shumë dëshmitarë që dëshmojnë këtë duke na ndihmuar të hulumtojmë koleksionet letrare dhe arkivat e shkencës e dritës. Civilizimi andaluzian nuk kufizohet vetëm në kufijtë e Gadishullit të Iberisë, por u shtri edhe më shumë sa që ka përfshirë Marokun arab deri në kufi me Tunisin. Shumë prej porteve marokiene janë të ndërtuara nga andaluzianët si Tatvani, Telmesani, Vehrani, Tunisi dhe Xhezair bin Mezgana, që sot njihet me emrin Xhezair e shumë të tjera. Brenda Marokut, qyteti i Fasit të tregon për kontributin e andaluzianëve në ndërtimin e saj. Meknasi të tregon për rolin arkitektorialm andaluzian. Ndërsa në Shavun e deri në Tatvan gjejmë qytete me formë e shpirt andaluzian, sikur të jenë të gjallë nga të gjallët e Granadës.
    Nga ky gadishull, ky civilizim kaloi në gjithë Detin Mesdhe. Këtu, në vendet tona Andaluzia jeton në ndërgjegjen tonë, duke rrahur me gjallëri sikur të ishte vend bashkëkohor arab. Deklaron me fjalë: Vërtet, Andaluzia është anëtar në Ligën e madhe Arabe, anëtar me zë të fuqishëm që kalon shekujt.
    Këtij zëri të fuqishëm i takon meritë e madhe në vendin e lartë që ka zënë civilizimi arab në mesin e civilizimeve botërore.
    Evropa e cila krenohet para nesh me atë që na ka mësuar në kohën e re, e ul zërin kur kujton që mësuesit tanë andaluzianë i kanë mësuar gjyshërit e tyre në të gjitha universitetet evropiane. Edhe vetë Vatikani nuk harron që një prej papëve ishin nxënës i Kortobës dhe mësuesve të saj.
    Nëse letrarët më të njohur evropianë janë katër: Dante, Servantesi, Shekspiri dhe Gëte, dy prej tyre janë nxënës të Andaluzisë arabe. I pari mori nga origjina e komedisë hyjnore, ndërsa i dyti transmetoi kapituj nga Hamid ibn Nehilij. Dhe i katërti Gëte nga ana tjetër është nxënësi ynë dhe përmbledhja e poezive të tij lindore është dëshmitar i qartë për inspirimin e tij nga poezitë tona lindore.
    Kjo Andaluzi e pavdekshme nuk jeton vetëm në zemrat e dijetarëve, por gjithashtu në zemrat e gjithë njerëzve. Shpikjet si Biblioteka e Andaluzisë dhe Kafeja e Andaluzisë janë të zakonshme e familjare në çdo vend arab.
    Dr. Muenesi e vërteton që vendi i vetëm në botë ku u bashkuan Lindja e Perëndimi me një bashkim të vërtetë ishte Andaluzia.
    Aty u rritën pemë arabe që rrënjët i kishin në tokën evropiane, e të cilat nxorën fryte me ngjyrë perëndimore e shije lindore.
    Atje të gjithë njerëzit që nga halifeja, ministri, gjykatësi e deri te shitësi e këngëtari flisnin në shtëpi e rrugë gjuhë evropiane, ndërsa lexonin ose shkruanin në gjuhën arabe.
    Atje ibn Ruzhdi u mor me shpjegimin e mësimeve të Aristotelit. Pastaj njerëzit i përkthyen shpjegimet e tij në gjuhën latine dhe i lexuan në këtë gjuhë më shumë se sa që i kemi lexuar ne në gjuhën arabe.
    Atje nuk mjaftoi vetëm që Lindja e Perëndimi të bashkohen, por u bënë gjë e vetme unike në kapitullin e tyre në histori. Dhe kjo gjë unike në kapitullin e tyre të historisë ende qëndron deri në ditët e sotme. Fytyrat e njerëzve të cilat i takojmë atje nuk janë tjetër veç figura që i sheh rreth teje në vendin tënd arab”.
    Autori i librit “Kortoba në historinë islame” shkon më tepër se kjo kur thotë:
    “Çlirimi islam i Gadishullit të Iberisë nuk ishte ndodhi prej ndodhive politike apo luftarake, të cilat gjithnjë paraqiteshin vetëm në skenën e jetës, por ky çlirim kristalizoi një ndodhi kulturore të mrekullueshme që i përgatiti njerëzit për zbulimin e shumë të panjohurave, të cilat nuk i njihte mendja më parë. Pastaj e motivoi këtë mendje për hulumtim dhe shpikje, dhe i hapi rrugën që të ecë me planet, hulumtimet e shpikjet e tij që kurrë nuk i ishte mundësuar njeriut një gjë e tillë.
    Këtë e dëshmon atë që ka bërë gjenialiteti njerëzor në Spanjën Islame nën patronazhin e halifëve apo sunduesve të shtetit gjatë viteve të pakta kur krahasohet me jetën e gjatë të historisë.
    Dhe kështu çlirimet islame përhapën dritën e besimit islam në çdo vend. Shkëlqimi islam u shtri në shkallën më të madhe që mund ta imagjinojë mendja. Pyesim: Pse të mos e kthejmë lavdinë e stërgjyshërve tanë? Me punë e sakrificë, si dhe marrja e shkaqeve të përparimit shkencor e civilizues në mënyrë që të mos bëhemi umet që ka histori, por që nuk ka të tashme.

    Dëshmitarët e madhështisë së civilizimit islam

    Dhe pas kalimit të atyre viteve të gjata pas rënies së Granadës, gati se nuk gjejmë sot diçka që na zbulon të kaluarën, përveç Kalasë së Hamrasë, e cila i kaloi tërë ato kohëra sikur të jeton në buzë të historisë, duke mos ndikuar në të ndodhitë e as të veprojë koha. E kush nga ne nuk ka dëgjuar për kalatë e Hamrasë?
    Ndërsa sot, në qytetin e Granadës depërtojnë në të rrugët e gjëra dhe ngrihen në të minaret e larta.
    Dhe ajo që e tërheq vëmendjen e një turisti arab janë sloganet në mure që shprehin solidaritetin e banorëve të qytetit dhe popullit spanjoll në përgjithësi me çështjen kryesore arabe, çështjen palestineze. Në mure të ndryshme janë shkruar sloganet si “Solidarizohemi me popullin palestinez dhe rroftë lufta e popullit palestinez”. Gjithashtu gjenden edhe slogane tjera për solidarizimin me Nikaraguan, Kilin, si dhe slogane të shumta kundër pranisë së bazave amerikane në Spanjë. Afër këtyre sloganeve, në afërsi të kështjellës së Hamrasë gjenden fjalët e një lypësi të verbër: “Beso, se nuk ka gjë më irrituese në jetë sesa të jesh i verbër në Granadë”.
    Por, kur na bie ndërmend e kaluara e largët dhe civilizimi islam, që kanë provuar t’i fshehin përmes deformimeve, atëherë gjithsesi duhet të largohemi nga qendra e qytetit modern të ngjeshur dhe të shkojmë te kopshtet e saj në pjesën veriore që njihet me emrin “Pushimi i Bajazinit”, i cili i ka ruajtur shtëpitë e tij të vogla me mure të trasha dhe rrugica të ngushta e të pastra. Të gjitha shtëpitë atje janë të ndërtuara sipas stilit arab. Shoqëria ende është “andaluziane”. Nuk ka dallim mes të pasurit dhe fqinjit të tij të varfër, që të gjithë janë vëllezër të barabartë siç ishin në kohën e arabëve. Me një fjalë lagjja e quajtur “Bajazin” ende është arabe. Në atë lagje të vjetër mund të ndalemi te e kaluara me të gjitha kujtimet e vjetra islame të dashura për vete dhe të cilat kanë mbetur gjatë kohës dëshmitar i madhështisë të civilizimit islam. Atëherë, na prek zilia e pendimi për neglizhencën tonë ndaj kësaj pasurie historike të çmueshme që na doli nga duart.

    Në mes të xhamisë së Kortobës ndërtuan kishë dhe emrin e saj e ndërruan në katedrale

    Kur flasim për antikitetin kulturor islam në Gadishullin e Iberisë, xhamia e Kortobës na bie së pari ndërmend. Padyshim se kjo xhami është puna më e madhe arkitektonike që e kanë bërë myslimanët si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Mbuloja e xhamisë është 4868 m2, ndërsa sipërfaqja e xhamisë është 12189 m2. Kjo xhami është e mbuluar me një mori shtyllash që kanë mbetur edhe sot dhe numri i tyre kalon 1200. Ajo është mrekullia e artit islam në Andaluzi.
    Gjenialiteti arkitektonik qartësohet nëse shikojmë me kujdes se si arkitekti e ka bartur mbulojën, lartësia e të cilit arrin deri në 9 metra mbi një shtyllë të gjatë, largësia e njërës prej tyre nuk shkon më shumë se 25 centimetra.
    Arkitektit të njohur Nortedramit i është nevojitur një shtyllë guri në hapësirë për çdo njërën prej tyre deri në katër metra, që të ndërton një kulm të ngjashëm.
    Por, këtë pasuri të vjetër islame e kemi neglizhuar. Të tjerët kanë bërë atë që kanë bërë. Në mes të saj kanë ndërtuar kishë, minaret e saj i kanë shndërruar në kulla për zile, ndërsa emrin e saj prej xhamisë e ndryshuan në katedrale.
    U zemëruam e bërtitëm duke e ditur se ne jemi përgjegjës për atë që na gjeti.

    Përmirësimi i figurës së Islamit brenda Spanjës

    Myslimanët, sot në Spanjë jetojnë në qytetet e mëdha si në Granadë, Sevilje, Malakë dhe Kortobë. Me gjithë numrin e vogël të tyre (afër 200 mijë) në krahasim me numrin e popullsisë spanjolle afërisht 40-milionëshe, myslimanët po përpiqen të përmirësojnë figurën e Islamit në sytë e popullsisë vendase, pasi që u prish kjo figurë te shumica e popullsisë. Kjo ndodhi veçanërisht pasi që spanjollët dëbuan nipërit e myslimanëve vendas të Andaluzisë nga vendi, siç përmendëm më lart.
    Myslimanët me një durim të madh përpiqen të zgjojnë interesimin e spanjollëve për fenë islame, sepse kushtet e Islamit në Spanjë dallojnë më shumë nga çdo vend tjetër evropian. Myslimanët në çdo shtet evropian mund ta paraqesin fenë islame, njoftimin me të dhe thirrjen për të duke e konsideruar si fe të re për popullsinë vendase, ndërsa në Spanjë gjendja ndryshon plotësisht. Me gjithë ndjeshmërinë e madhe kundër Islamit (kjo për shkak të sundimit të Andaluzisë dhe historisë së tyre plot me çlirime islame e humbjeve të vazhdueshme që ua shkaktuan spanjollëve, si dhe rolit të rrezikshëm të cilin e luajtën misionarët në prishjen e figurës së Islamit te popullsia vendase), ndryshimi i disa mendjeve fanatike kundër Islamit është bërë çështje e vështirë që i lufton myslimanët. Por, me durim e tolerancë përmes argumentimit, këshillës së mirë dhe sjelljes shembullore, do të ngjallet përsëri Islami në zemrat e spanjollëve.
    E vërteta është që fanatizmi i spanjollëve katolikë në të kaluarën kundër feve ka përfshirë shumicën e feve që janë paraqitur në tokën spanjolle. Por, kjo mostolerancë fetare nuk i ka penguar që të vlerësojnë disa shpikje në mendim, dituri dhe artin arabo-islam, siç u ka mundësuar shoqërimi i gjatë me shtetin islam, njohja e antikitetit islam dhe përfitimi prej tij në të gjitha fushat e jetës së tyre shkencore, mendore dhe arkitektonike.

    Sevilja, nusja e Andaluzisë

    Nëse kthehemi te Sevilja, nusja e Andaluzisë (siç e pëlqejnë ta quajnë disa) sikur e ndjejmë se si ka qenë në kohën e arabëve, në kohën kur ka qenë qytet i artit, bukurisë e muzikës, vendtakim i poetëve, këngëtarëve e artistëve. Për të Benu Ubadi shkroi poezinë më të mirë e më të ëmbël. Netët e tyre të gjata i kalonin në vende poetike, ndërsa vdekja iu shfaqej në mëngjes e mbrëmje duke i zënë njerëzit e tyre. Megjithëkëtë, gjenin kohë për të rregulluar poezinë. Dëshmi më e mirë për këtë është adresimi ndaj njëri-tjetrit. Sa që edhe letrat e tyre drejtuar armiqve ishin poezi!
    Në sheshin e fitores “Triumfo” e rreth tij bashkohen Kalaja e Seviljes, minarja Hajralda, arkiva perëndimore e Hindit, afër saj Kalaja e Platos, kisha Salvador, kulla e arit, lagjja “Santa Krut”, Kisha Katedrale.
    Madhësia e kësaj kishe nuk mund të paramendohet. Ajo është një pjesë e gjerë prej guri që përfaqëson zemrën e gjithë qytetit. Ngado që kthehesh e ke përpara dhe çdo gjë brenda saj është e zbukuruar me ar të vërtetë.
    Shtrohet pyetja: Pse e kanë ndërtuar këtë ndërtesë gjigante? Shkaku: Me këtë kanë dashur fshehjen e çdo gjurme të xhamisë së Seviljes, motër e xhamisë madhështore të Kortobës.
    Po të dëshiroja do të thosha: Kjo kishë gjigante rëndon mbi rrënojat e një xhamie madhështore, bukuria e madhështia e së cilës nuk është më e paktë se e xhamisë së Kortobës. Po të mbetej do të ishte veçori e arkitekturës në gjithë historinë e saj.
    Por, nga xhamia nuk ka mbetur asgjë përveç bukurisë së minares, e cila sot është kullë e kishës!
    Ndërsa Seviljen sot, e gjejmë të mbushur me banorë, zakonet e të cilëve u ngjajnë atyre arabe. Myslimanët e Seviljes dallohen, ngase ushtrojnë jetë dhe punë islame më shumë. Qendrat islame në përgjithësi luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e myslimanëve, ku marrin mësime nga feja e shkencat kur’anore, si dhe aty gjenden anekse të veçanta për myslimanët e rastit apo për ata të cilët dëshirojnë të qëndrojnë për një kohë të shkurtër në Spanjë. Këto qendra kujdesen për nxënësit myslimanë, të cilët mësojnë në universitete, institute apo për specializime të ndryshme. Myslimanët përpiqen të përfitojnë nga këta nxënës, duke u miqësuar me ta që të njohin më shumë Islamin, veçanërisht prej atyre që janë të ditur në fe. Prej tyre kanë zgjedhur imam të xhamive dhe mësues për mësime fetare e të gjuhës arabe. Vërtet, ata kanë nevojë të madhe për thirrës e dijetarë, që të mësojnë prej tyre Islamin e vërtetë, pa deformime e shtrembërime.
    Islami si fe, nuk mësohet në shkollat spanjolle, por mësohet historia islame në Spanjë, e atë në mospajtim të plotë me të vërtetat historike. Prandaj, është domosdoshmëri për myslimanët të kërkojnë burime tjera më të përpikta e më të vërteta për ta njohur të vërtetën e historisë islame, drejtësinë e tolerancën e tij dhe origjinalitetin e vlerave të tij njerëzore.
    Për shkak të këtyre burimeve të pakta në gjuhën spanjolle, nuk kanë zgjidhje tjetër përveç që t’i lexojnë në gjuhën franceze e angleze dhe të kthehen te burimet që janë shkruar në këto dy gjuhë. Kjo është çështje shumë brengosëse, ngase shumica e myslimanëve nuk i njohin mirë këto dy gjuhë. Prandaj, kanë filluar t’i rregullojnë mësimet e gjuhës arabe e ato fetare për fëmijët e tyre që të mos kenë të njëjtin problem kur të rriten. Gjithashtu, përpiqen të importojnë librat islame përmes qendrave islame.
    Problem tjetër është mungesa e librave që flasin për parimet islame dhe mësimin e fillestarëve. Në përgjithësi, gjenden libra që u drejtohen myslimanëve, të cilët kanë lindur e janë rritur në Islam.
    E tërë kjo po ndodh në vendet ku Islami një ditë prej ditëve ishte fe zyrtare. Kjo po ndodh në qytetin si Granada, në të cilin janë lindur dijetarët më të njohur myslimanë si: Ebi Mervan ibn Zehr, dijetari i njohur i fundit i mjekësisë pas Razit dhe ibn Sinas, i cili në kohën e tij arriti një përparim të madh në shkencat mjekësore. Myslimanët i perfeksionuan operacionet e rrezikshme, si operacioni i syrit me gjilpërë precize. Ky përparim shkencor erdhi si rezultat i mbështetjes së tyre në eksperiment e mendje për shpjegimin e sëmundjeve dhe zbulimin e ilaçeve. Ndërsa, evropianët vazhduan të shpjegojnë epideminë për një kohë të gjatë me analiza të brishta e me mitet e magjisë, derisa librat arabe filluan të depërtojnë te ta në shekullin XI përmes përkthimeve. Kështu, Evropa mori nga myslimanët shkencat mendore e humane. U përkthyen librat e Razit e ibn Sinas në gjuhën latine, të cilat u bënë librat e burimet më të rëndësishme në universitetet evropiane.
    Kortoba, në përgjithësi luajti një rol të rëndësishëm në këtë fushë si qendër e rrezatimit për çdo lloj diturie dhe civilizimi islam, që u bart pastaj te qytetet e fshatrat tjera spanjolle.
    Ende para nesh qëndrojnë Madridi, Malaka, Toledo e qytete tjera. Biseda zgjat dhe për të do të duhen faqe të shumta, por mjafton thënia: Gjurmët e Islamit e myslimanëve në të, që të gjitha tregojnë për të kaluarën e ndritshme të Islamit. Por, këto gjurmë konsiderohen prej elementeve më të rëndësishme për joshjen turistike, ku Spanjën për një vit e vizitojnë 54 milionë turistë, që është më shumë se numri i popullsisë që arrin deri në 40 milionë banorë. Të ardhurat e vitit të kaluar nga turizmi që arritën në 16.7 miliardë dollarë arritën të mbulojnë deficitin tregtar, i cili arriti në 15.9 miliardë dollarë.

    Islami ende jeton në Spanjë

    Armiqtë e civilizimit islam bënë atë që bënë. Myslimanët dolën nga Andaluzia para pesë shekujve, por atje mbeti Islami. Nuk arritën të nxirrnin nga Andaluzia bazën e civilizimit islam e artet e tij, por mbetën të gjalla e të qëndrueshme në atë tokë, në kujtimet arabe e në imagjinatën e gjithë njerëzimit. Dëshmitarë që myslimanët ishin ndërtues të një civilizimi të madh, që historia nuk njohu të tillë.
    Andaluzia nuk mund të humbet, nëse e kujtojmë mësimin, përfitojmë nga përvoja dhe mësojmë se si u shpërbë. Nëse e kuptojmë këtë, mund të kthejmë shpirtin e Islamit e tolerancën e tij në atë vend.

    Edukata Islame 79

  • ADEMI (ALEJHI SELAM)

    ADEMI (ALEJHI SELAM)

    Para se të fillojmë rrëfimin e historisë të babait tonë Ademit, alejhi selam, do të ndalim disa çaste që ta shpjegojmë vlerën dhe rëndësinë e tregimeve në Islam. S’ka dyshim se tregimet njerëzit i pranojnë më së lehti se sa sendet tjera, janë të dashura për zemrat, ndikojnë shumë lehtë në shpirtra, dhe janë të këndshme për veshin kur i dëgjon.

    Tregimet janë të llojllojshme, të shkurta, të gjata, të vërteta, të pavërteta, të trilluara, etj. Por tregimet më të mira dhe të vërteta janë tregimet prej Kur’anit, të zbritura prej më të Dijshmit azze ue xhel, e pastaj tregimet prej Sunetit. Thotë Allahu, azze ue xhel: Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur përmes shpalljes së këtij Kur’ani, ndonëse ti, me të vërtetë, nuk ke qenë në dijeni më parë.(Jusuf: 3)

    Të gjitha tregimet në Kur’an dhe hadithet e vërteta janë të sakta dhe reale. Ato na rrëfejnë dhe qartësojnë të gjitha ndodhitë siç kanë ndodhur, pa mangësi apo tepricë. Thotë Allahu, azze ue xhel: Ne po ta tregojmë ty historinë e tyre sipas së vërtetës.” (El-Kehf: 13); Pa dyshim, të gjitha këto janë rrëfime të vërteta.(Ali Imran: 62)

     

    Allahu, azze ue xhel, e urdhëroi të Dërguarin e Tij, t’ua rrëfejë njerëzve atë çka ia mësoi atij prej tregimeve, që ndoshta ata do të meditojnë gjendjen e popujve të mëhershëm, e do të marrin mësime prej jetës së tyre dhe do të largohen prej rrugës së tyre në rast se ishin zullumqar, e do t’i pasojnë në rast se ishin në rrugë të drejtë. Thotë Allahu, azze ue xhel: Tregoju atyre këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.(El-A’raf: 176) dhe Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kur’an) nuk është tregim i trilluar.(Jusuf: 111)

    Çka mund të mësojmë prej tregimeve:

    1- Jetën e pejgamberëve dhe pasuesve të tyre, vuajtjet, sfidat, peripecitë që i përjetonin prej kundërshtarëve të tyre

    2- Qartësimin e metodologjive të pejgamberëve në davet, pastaj durimin e tyre në këtë rrugë, dhe obligimin e çdo muslimani që t’i pasojë ato në atë rrugë. Thotë Allahu, azze ue xhel, duke iu drejtuar të Dërguarit të Tij: Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre.” (El-En’am: 90)

    3- Paraqitja e jetës të besimtarëve të devotshëm, sabrin e tyre prej zullumqarëve, shpërblimin e tyre në këtë botë dhe Ahiret, dënimin e jobesimtarëve dhe atyre që e pasojnë rrugën e tyre.

    4- Qartësimin e krijimit të njeriut, tokës, kafshëve, bimëve, qiejve, deteve e kështu me radhë.

    Pra, tregimet s’janë thjesht vetëm histori që lexohen për ta kaluar kohën dhe për t’u argëtuar, por prej saj mundemi të përfitojmë shumë gjëra. Çdo histori prej tyre përçon parime dhe koncepte plot vlera e domethënie.

    Në Kur’an dhe në Sunet është treguar jeta dhe veprimtaria e shumë pejgamberëve, mirëpo dëshira jonë kësaj radhe ishte që të flasim për Ademin, alejhi selam, i cili është njeriu i parë në këtë rruzull tokësor, babai i krejt njerëzimit, lajmëtari i parë nga ana e Allahut, azze ue xhel, etj., e në shkrimet e ardhshme do të flasim për pejgamberët tjerë.

    Pasi që historiku i tij është i gjatë do të tentojmë që të sjellim atë më kryesoren dhe atë çka është më e saktë, duke u bazuar në Kur’an, Sunet dhe gjurmët e selefit.

    Krijimi i Ademit, alejhi selam:

    Krijimi i Ademit, alejhi selam, kaloi në disa etapa, të cilat i tregon Allahu, azze ue xhel, në librin e Tij:

    Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: Bëhu!– dhe ai u bë.(Ali Imran: 59); Ai e ka filluar krijimin e njeriut prej baltës” . (Es-Sexhde: 7); Pyeti (o Muhamed) ata (mekas mosbesimtarë): A është më i vështirë krijimi i tyre apo i të gjitha gjërave të tjera që i kemi krijuar? Ata i kemi krijuar nga balta ngjitëse.(Es-Safat: 11); Ai e krijoi njeriun prej baltës së thatë, ashtu si vorba.(Er-Rrahman: 14); Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë, kurse para tij kemi krijuar xhindet nga zjarri pa tym.(El-Hixhr: 26);

    Ne ju krijuam e pastaj ju dhamë formë.(El-Araf: 11)

    Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është i vërtetë, prej Ebu Musa el Esharij se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu e krijoi Ademin nga një grusht dheu të cilin e mori nga e gjithë sipërfaqja e tokës. Nisur nga kjo, bijtë e Ademit, alejhi selam, morën ngjyrat e tokës. Prej tyre të bardhë, të kuq, të zinj dhe të përzier. Ashtu siç kishte zemërbutë, të dashur, të ligë, të vështirë dhe të përzier” .

    Pra, baza është se Allahu, azze ue xhel, e ka marrë një grusht prej dheut të tokës, dhe në këtë grusht janë përfshirë të gjitha llojet e dheut të tokës dhe ky është shkaku se pse njerëzit janë shumë ngjyrësh. Kjo vlen edhe për karakterin e secilit prej tyre.

    Pastaj e lagi me ujë dhe u bë baltë e ngjitur. Kur balta u bë e përshtatshme, Allahu e mori dhe i dha formë me dy duart e Tij fisnike, thotë, azze ue xhel: Zoti tha: O Iblis, ç’të pengoi ty që të mos përuleshe në sexhde para atij që e kam krijuar Vetë me duart e Mia?(Sad: 75)

    Trupi apo shtatorja prej balte, u la në atë formë për një periudhë kohe derisa u tha. Pasi u tha, statuja mori ngjyrën e baltës së zezë, si ngjyra e vorbës.

    Përveçse ishte njeriu i parë i krijuar, Ademi, alejhi selam, është edhe njeriu më i gjatë në të gjithë kohërat. Të gjithë banorët e Xhenetit, do të kenë gjatësinë e Ademit, alejhi selam.

    Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi prej Ebu Hurejres se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: Allahu e krijoi Ademin dhe gjatësia e tij ishte gjashtëdhjetë parakrahë. Pastaj i tha: “Shko dhe përshëndeti ata melek, dhe dëgjo se me çka të përgjigjen, se ajo do të jetë përshëndetja e jote dhe e pasardhësve tu” . Ai u tha: “Es Selamu Alejkum” , e melaqet iu përgjigjën: “Es Selamu Alejkum ue rahmetullah” , e ashtu shtuan “ue rahmetullah” . Secili prej bijve të Ademit që do të hyjë në Xhenet, do të hyjë në formën e Tij dhe krijesat ende vazhdojnë të shkurtohen deri tash.”

    Prej këtij hadithit shihet se Ademi ka qenë i gjatë gjashtëdhjetë parakrahë, dhe se ai ka qenë krijesë e përsosur, e plotë prej fillimit të krijimit të tij, e jo i mangët sikurse thonë disa prej injorantëve, e se pastaj shumë vite me rrallë është përsosur. Shihet se ai flet, përgjigjet, ecë, kupton, dhe s’është e mundur që Allahu ta krijojë robin e Tij dhe të Dërguarin e Tij dhe babanë e krejt njerëzimit të mangët. Po ashtu përfitojmë prej hadithit se krejt njerëzit që hynë në Xhenet do të hynë në formën e Tij, azze ue xhel.

    Thuhet se kur Allahu i dha formë Ademit, alejhi selam, s’e pajisi me shpirt menjëherë. Ai e la për një kohë të konsiderueshme ashtu si statujë. Kur e pa Iblisi, filloi t’i sillej rrotull i habitur. Kur dalloi se nga brenda ishte bosh, Iblisi e kuptoi se ishte një krijesë që nuk vetëpërmbahej.

    Thotë ibën Kethiri: Allahu, azze ue xhel, e krijoi Ademin me duart e Tij, që Iblisi mos të bëhet kryelartë para tij, pastaj e formoi njeri, dhe ishte trup prej balte dyzet vjet. Kur iu afruan melekët, u frikësuan prej pamjes të tij, por më shumë prej tij u tremb Iblisi. Filloi të sillet rreth tij dhe ta godas në trup, dhe dilte prej trupit tingull, sikurse tingulli i cili dëgjohet kur i bihet argjilës. Pastaj u fut prej gojës së Ademit dhe u largua prej prapanicës së tij, dhe i tha melekëve: Mos u frikoni prej këtij, se Zoti juaj është i pandryshueshëm, i përjetshëm, kurse ky është i zbrazur, bosh, dhe në rast se e sulmoj do ta shkatërroj.

    Tregon Abdullah ibën Abasi: Zoti urdhëroi që t’i çohej dheu i Ademit, alejhi selam. Ai e krijoi Ademin, alejhi selam, nga balta e ngjitshme dhe balta e tharë. Ai i dha formë me duart e Tij dhe e la dyzet ditë në atë gjendje, trup pa shpirt. Iblisi i sillej rrotull dhe e godiste me shqelma. Nga goditjet, statuja e Ademit, alejhi selam, jehonte. Iblisi i thoshte: Për diçka je krijuar.Pastaj hynte nga goja e Ademit, alejhi selam, dhe dilte nga pjesa e pasme dhe u drejtohej melekëve, të cilët ishin frikësuar kur e kishin parë: Mos e kini frikë këtë! Nëse Zoti më jep pushtet mbi të, do e shkatërroj. Por nëse Zoti i jep pushtet mbi mua, do e kundërshtoj.

    Që ditët e para të krijimit të njeriut, lindi dhe armiqësia mes tij dhe shejtanit

    Pasi që e krijoi dhe e formoi, Allahu, azze ue xhel, Ademin, alejhi selam, e shpirtëzoi, duke i fry prej shpirtit të Tij: Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, ju t’i përuleni atij në sexhde. (El-Hixhr: 29)

    Duke qenë se Iblisi edhe pse ishte prej xhindeve, ishte i lidhur me Allahun dhe e adhuronte Atë. Allahu e kishte bashkuar me melekët, edhe pse nuk i përkiste atyre. Ai nuk i kishte thyer kurrë urdhrat e Zotit. Për këtë, Allahu e kishte shpërblyer duke e ngritur me melekët në qiell.

    Pasi përfundoi krijimin e Ademit, alejhi selam, Allahu i urdhëroi të gjithë melekët që t’i përulen atij, si formë nderimi për të. Meqë edhe Iblisi ishte me melekët, ky urdhër ishte i vlefshëm edhe për të. Por, ai e kundërshtoj urdhrin e Allahut dhe u bë prej mohuesve.

    Allahu tha: Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?Ai u përgjigj: Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta. (El-A’raf: 12)

    Thonë Hasan el Basrij dhe Muhamed Sirini se Iblisi ishte i pari i cili e përdori analogjinë.

    Ai gaboi në dy çështje:

    E para: Harroi se dheu është më i mirë se zjarri. Prej cilësive të dheut është: i butë, i qetë, i ulët, kurse zjarri i lartë, i egër, që djeg.

    E dyta: Ai harroi se urdhri vjen prej Allahut, azze ue xhel, e ai obligohet t’i nënshtrohet urdhrave të Tij. Melekët iu përulën Ademit në shenjë respekti e jo se ai ishte më i miri se ato, dhe respektuan urdhrin e Allahut.

    Krijimi i Havës, alejha selam:

    Pasi përfundoi plotësisht krijimi i Ademit, alejhi selam, Allahu krijoi bashkëshorten e tij Havën, alejha selam. Hava nuk u krijua menjëherë pas Ademit. Ademi, alejhi selam, jetoi një periudhë kohe krejtësisht i vetëm në Xhenet, gjë e cila e bëri të ndihej i vetmuar dhe i mërzitur.

    Një ditë, ndërkohë që Ademi ishte duke fjetur, Allahu, azze ue xhel, e krijoi Havën, nga një brinjë e krahut të majtë të Ademit. Me anë të kësaj brinje, Allahu krijoi gruan e parë, Havën, alejha selam. Kur Ademit i doli gjumi, gjeti një grua pranë tij. Ai e pyeti menjëherë: Kush je ti?Ajo u përgjigj: Jam një grua.Ademi, alejhi selam, e pyeti: Pse je krijuar?Hava u përgjigj: Që të gjesh prehje tek unë.

    Melekët, kur e panë që Allahu kishte krijuar një krijesë tjetër të ngjashme me Ademin, alejha selam, menduan ta vënë në provë Ademin. Meqë ai dinte emrat e çdo sendi, melekët e pyetën mbi emrin e Havës. Kështu, i thanë: Si e quajnë atë?Ademi u përgjigj: E quajnë Hava.

    Melekët, e pyetën sërish: Po përse ka marrë këtë emër?Ademi u përgjigj: Sepse është krijuar nga diçka e gjallë.

    Thotë Allahu, azze ue xhel: O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju. (En-Nisa: 1)

    Thotë Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem: “Dëgjoni porosinë time, ndaj grave bëhuni të kujdesshëm, sepse ato janë të krijuara nga brinjët. Briri anën më të lakuar e ka pjesën e epërme. Po deshe ta drejtosh, ai do të thyhet, e po e le ashtu siç është, do të ngel i lakuar. Prandaj dëgjoni porosinë time, ndaj grave bëhuni të kujdesshëm” .

    Natyra e gruas është e tillë që shpeshherë udhëhiqet nga ndjenjat dhe jo arsyeja. Nëse ti rrekesh t’i ndryshosh sjelljet, të cilat burojnë nga bota emocionale e pasur e saj, t’i po tenton të ndryshosh vetë natyrën e saj, gjë e cila është e pamundur. Me gruan duhet të sillesh me të butë dhe dashamirësi, jo me dhunë dhe imponim.

    Të dy jetonin si banorë të Xhenetit, hanin dhe pinin prej gjitha begative të tij, përveç asaj peme që e kishin të ndalur, thotë Allahu, azze ue xhel, në Kur’an lidhur me këtë: Ne thamë: O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë. (El-Bekare: 35)

    Që në fillim, Allahu, azze ue xhel, i tregoi Ademit, alejhi selam, mbi shejtanin, të cilin e etiketoi si armik të tij. Kjo ishte që para se shejtani të fillojë me vesveset e tij. Thotë Allahu në Librin e Tij: Pastaj thamë: O Adem, me të vërtetë që ky është armiku yt dhe i gruas sate, prandaj mos e lini t’ju nxjerrë kurrsesi nga Xheneti, se pastaj do të vuani në mjerim! Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.(Merjem: 117)

    Pra, ato që thonë se njeriu i parë ishte i pambuluar dhe më vonë filloi të mbulohet nuk është aspak e vërtetë. Zoti i kishte veshur njerëzit e parë që në Xhenet, ashtu siç i mëson si të vishen pasi do të vendosen në tokë.

    O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim. por, petku i devotshmërisë është më i miri.(El-A’raf: 26)

    Iblisi filloi t’i mashtrojë dhe t’i tundojë që të hanin nga pema, duke i thënë se kjo pemë është e përjetësisë dhe pushtetit. Na rrëfen Allahun, azze ue xhel, dhe thotë: Djalli u pëshpëriti, për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: Zoti juaj ua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.(El-A’raf: 20)

    Veç kësaj, filloi edhe t’u betohej se po u tregonte të vërtetën: Dhe iu betua atyre (duke thënë): Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë! Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij.(El-A’raf: 21-22)

    Në çastin kur ata hëngrën nga pema e ndaluar dhe thyen urdhrin e Allahut, u zhduken rrobat që kishin veshur dhe befasisht u shfaqën lakuriqë.

    Pasi e shijuan frutin, atyre iu zbuluan vendet e turpshme.(El-A’raf: 22)

    Kur ndodhi kjo, Ademit dhe Havës u erdhi turp. Natyra e njeriut e urren lakuriqësinë dhe nuk ndihet rehat. Kur panë se rrobat që i mbulonin, filluan të mbulohen me gjethe pemësh të Xhenetit.

    dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit.(El-A’raf: 22)

    Transmetohet se Hava ishte ajo e para e cila kishte ngrënë prej pemës dhe ajo e nxiste Ademin për të ngrënë prej peme. Prandaj, thuhet se Hava e tradhtoi Ademin, alejhi selam, dhe se cilësinë e mashtrimit, gratë e kanë fituar prej Havës.

    Ibni Haxheri kur flet rreth hadithit: Po mos të kishte qenë Havaja s’do ta tradhtonte gruaja burrin e saj” thotë se s’është tradhti në nder, Allahu na ruajttë. Si mund që nëna e njerëzimit të përshkruhet me atë veti të keqe, por e ka tradhtuar për shkak se anoi epshi i saj që të hajë prej peme dhe pastaj ia zbukuroi Ademit ngrënien prej saj. Kurse, gratë çka kanë ardhur pas saj, tradhtia e tyre është sipas asaj çka kanë vepruar.

    Pasi kishin ngrënë nga pema e ndaluar Allahu iu drejtua duke iu thënë: dhe Zoti i tyre i thirri: A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?(El-A’raf: 22)

    Kur e vërejtën gabimin e tyre, iu drejtuan Allahut të tyre me pendim të sinqertë, duke thënë: Ata thanë: O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.(El-A’raf: 23)

    Kështu zbriti Ademi dhe Hava në tokë dhe me ato zbriti edhe Iblisi. Vendi ku zbritën s’dihet saktë. Disa thonë në Indi, disa thonë afër Xhides (Arabi Saudite), por s’ka argument të saktë për asnjërën palë.

    Pema prej të cilës ngrënë Ademi dhe Havaja, s’dihet se çka është dhe si quhet. Thuhet se ishte pemë rrushi apo palmë etj., por s’ka argument për emrin e saj dhe të kishte qenë me rëndësi emri i saj, do ta kishte përmendur Allahu në Kur’an.

    Koha e qëndrimit e Ademit në Xhenet s’dihet saktësisht, disa thonë prej pas ikindisë e deri në perëndimin e diellit.

    Disa të tjerë thonë se ka qenë brenda një dite, argumentohen me hadithin që e transmeton Muslimi: “Dita më e mirë që ka lindur dielli është dita e xhumasë. Atë ditë është krijuar Ademi, atë ditë ka hy në Xhenet, atë ditë është nxjerr, dhe atë ditë do të bëhet Kiameti” .

    Pasi që e zbriti Allahu Ademin në tokë ia mësoi zanatin, e furnizoi me fryte prej Xheneti, pra këto fryte në tokë janë prej Xheneti vetëm se këto ndërrohen, e ata në Xhenet s’ndërrohen.

    Fëmijët e Ademit:

    Transmetohet se Hava i lindi Ademit dyzet fëmijë prej njëzet shtatzënive, disa thonë se i kishte 120 shtatzëni, dhe në çdo shtatzëni kishte nga një mashkull dhe femër. I pari ishte Kabili dhe motra e tij Kalima, dhe i dyti ishte Abdulmugithi dhe motra e tij Abdulmugitha. Fëmijë me emër Abdulharith s’kishte Ademi dhe hadithi që e cek këtë emër është i dobët.

    Habili dhe Kabili: Ishin të dytë djem të Ademit. Kabili ishte i vrazhdët dhe i ashpër në karakter. Ndërkohë që Habili ishte zemërmirë. Kabili merrej me bujqësi, kurse Habili merrej me bagëti.

    Asokohe, njerëzimi kishte nevojë për një kod familjar, sidomos lidhur me shtimin e njerëzimit, duke ditur se ata ishin vëllezër dhe motra të njëri-tjetrit. Kështu, ligji ishte i tillë, që djemtë e Ademit, alejhi selam, mund të martoheshin me këdo nga motrat, përveç binjakes. Nga ky ligj nuk bënte përjashtim as Kabili dhe as Habili. Sipas transmetimeve, thuhet se binjakja e Kabilit, ishte më e bukur se binjakja e Habilit. Kabili dëshironte që ai të martohej me binjaken, por kjo ishte e ndaluar sipas ligjeve të asaj kohe. Duke qenë se Ademi, alejhi selam, ishte profet, kishte dhe legjislacionin e tij.

    Një ligj tjetër, ishte dhe ai i kurbaneve, flijimeve të bagëtisë. Shenja që Allahu e ka pranuar kurbanin e dikujt, ishte që të zbriste një zjarr nga qielli dhe ta digjte. Kurbani që nuk digjej nga zjarri, ishte i refuzuar nga Allahu.

    Kur deshi Habili të ofrojë një kurban, zgjodhi kafshën më të mirë dhe e theri. Kurse Kabili ofroi një sasi drithërash të prishur. Një ditë më vonë, dy vëllezërit panë se kurbani i Habilit ishte pranuar nga Zoti, e kishte djegur zjarri. Kurse kurbanin e Kabilit e kishte refuzuar, nuk ishte djegur. Kjo ia shtoi urrejtjen dhe xhelozinë Kabilit për të vëllain. Në këtë çast, ndërhyn dhe shejtani i cili e nxit Kabilin të vrasë vëllain e tij. Vrasja ishte një risi e re për jetën e njeriut mbi tokë, ishte krimi i parë që po ndodhte në histori. I vendosur, Kabili vajti tek vëllai i tij Habili dhe i tregoi se dëshironte ta vrasë. Habili, nga ana e tij i tha se nuk do të reagonte duke tentuar ta vrasë. Ai i tha se nga kjo vepër nuk do të fitojë asgjë përveç gjynahut dhe ndëshkimit.

    Në një natë të errët dhe të zezë, Kabili vajti tek vëllai i tij Habili i cili ishte duke fjetur dhe e vrau. Ka shumë transmetime se si, por s’ka argument të saktë. Ishte krimi i parë në historinë njerëzore.

    Pasi e vrau, Kabili nuk dinte ç’të veprojë me kufomën. Ishte hera e parë që dikush vdiste nga njerëzit dhe nuk dinin si të sillen me të vdekurit. Mandej, Kabili e mbajti në krahë kufomën e të vëllait dhe e transportoi në një vend tjetër. Atje, Allahu e dërgoi dy sorra para Kabilit. Dy sorrat filluan të ziheshin me njëra-tjetrën, derisa njëra mbeti e ngordhur në vend. Sorra triumfuese, filloi të hapë një gropë me këmbët e saj. Pastaj e shtyu sorrën e ngordhur drejt gropës dhe e mbuloi me dhe.

    Nga kjo ngjarje, mësoi Kabili se çfarë duhet të bëjë me kufomën e të vëllait. Ai hapi një gropë menjëherë, e hodhi vëllain brenda dhe e mbuloi me dhe.

    Këtë ndodhi Allahu, azze ue xhel, e ka regjistruar në Kur’anin famëlartë, ku thotë: Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: Ty gjithsesi do të të vras. Tjetri tha: Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve. Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit. Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: Mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!E u bë nga të penduarit.(El-Maide: 27-31)

    Në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi, Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Çdo njeri që vritet padrejtësisht, një pjesë e gjynahut i shkon dhe djalit të Ademit, pasi ai është njeriu i parë që e shpiku vrasjen.”

    Me vrasjen e të vëllait, Kabili shpiku një risi dhe krim që nuk ishte dëgjuar deri atëherë. Për këtë, Zoti e ndëshkoi duke i dhënë pjesë të gjynahut të çdo të vrari padrejtësisht deri në Ditën e Kiametit.

    Thotë Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem: “Kush shpik një vepër të ligë, ai do të ketë gjynahun e tij dhe gjynahun e atyre që do e veprojnë pas tij, deri në Ditën e Kiametit.”

    Pasi vrau vëllain e tij, Kabili morri arratinë, duke mos dashur t’i dalë para babait të tyre, Ademit. Bashkë me gruan e tij, ai u vendos në fusha, ndërkohë që fëmijët e tjerë dhe prindërit jetonin rrëzë maleve.

    Fëmijët dhe pasardhësit e Kabilit u shtuan, por në mungesë të mësuesit shpirtëror, mes tyre filloi të përhapej degjenerimi moral. Kjo, edhe pse adhuronin një Zot të vetëm. Që atëherë, njerëzit u ndanë në dy kategori: Të mirët, që jetonin me Ademin dhe të ligët, që jetonin me Kabilin.

    Vdekja e Ademit, alejhi selam:

    Transmeton Tirmidhiu prej hadithit të Ebu Hurejres se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem: “Kur e krijoi Allahu Ademin, i fërkoi atij belin, dhe çdo person që do të lindë deri Ditën e Gjykimit bie nga beli i tij. Të gjithë njerëzve i krijoi një rreze nga drita ndërmjet dy syve. Pastaj ia paraqiti ata Ademit. Ademi tha: “O Zoti im kush janë këta” ? Allahu tha: “Këta janë pasardhësit e tu” . Pastaj pa njërin prej tyre dhe i pëlqeu drita që shndriste ndërmjet dy syve, dhe tha: “O Zoti kush është ky “? Allahu tha: “Ky është një person nga pasardhësit e tu, nga popujt e fundit dhe quhet Davud” . Ademi tha: “O Zoti im, sa ia ke caktuar jetën atij” ? Allahu tha: “Gjashtëdhjetë vjet” . “Shtoi atij dyzet vjet nga jeta ime, tha Ademi” . Kur iu plotësua jeta Ademit, erdhi meleku i vdekjes për t’ia marrë jetën.” Po mua më kanë mbetur edhe dyzet vjet, tha ai” . “Po ti ia dhe djalit tënd, Davudit dyzet vjet, i tha meleku i vdekjes” . Pastaj Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, shtoi: “Mohoi Ademi, prandaj pasardhësit e tij po mohojnë. Harroi Ademi, prandaj dhe pasardhësit e tij janë duke harruar. Gaboi Ademi, prandaj pasardhësit e tij janë duke gabuar” .

    Transmeton imam Ahmedi, se Xhumretu Sadij ka thënë: Pashë një të moshuar në Medine duke folur. Kur pyeta kush ishte, më thanë se ishte Ubej ibën Kab (një nga më të diturit e sahabëve rreth shkencave të Kur’anit dhe tefsirit). Ndër të tjera, ai tha: Kur Ademit, alejhi selam, iu afrua vdekja, u tha fëmijëve: Më ka marrë malli për fruta Xheneti. Fëmijët e Ademit, alejhi selam, shkuan të kërkojnë fruta dhe në rrugë u takuan me melekët (në formë njerëzish), që mbanin në duar qefinë dhe materiale të tjera për përgatitjen e të vdekurit. Melekët u thanë: O bijtë e Ademit! Çfarë po kërkoni?

    Ata u përgjigjën: Babai ynë është sëmurë dhe na kërkoi fruta Xheneti.” Melekët u thanë: Kthehuni, se babait tuaj i ka ardhur momenti i vdekjes.”

    Hava kur I pa, i njohu dhe lajmëroi Ademin, alejhi selam, menjëherë. Ademi i tha: Largohu prej meje, pasi e keqja më erdhi prej teje. Më lër me melekët e Zotit tim të lartësuar.

    Kështu, melekët e vdekjes ia morën shpirtin, e lanë, e veshën me qefinë, e lyen me parfum, i hapën varrin, i falën xhenazen dhe e mbuluan. Pra, ishin melekët ata që e përgatitën xhenazen e Ademit, alejhi selam, dhe e varrosën së fundmi.

    Pasi e varrosën, melekët u thanë fëmijëve të Ademit: O bij të Ademit! Kështu duhet të veproni me të vdekurit tuaj.

    Ademi, alejhi selam, e kishte kaluar jetën në bindje dhe konform ligjeve të Zotit. Hera e parë që i kishte thyer ligjet e Zotit ishte kur hëngri nga pema e ndaluar në Xhenet. Përgjatë nëntëqind e pesëdhjetë viteve jetë mbi tokë, ai nuk veproi gjynahe.

    Një vit pas vdekjes së Ademit, alejhi selam, ndërroi jetë dhe gruaja e tij Hava, alejha selam.

    Përgatiti: Irfan JAHIU

     

     

  • PUNËT E PARA NË MEDINË (HUTBE)

    PUNËT E PARA NË MEDINË (HUTBE)

    Në kohën mekase besimtarët kishin shumë vështirësi për ta mbajtur fenë Islame. Kushdo që mundohej ta shfaq fenë haptazi, torturohej e ndoshta edhe vritej.

    Adhurimi apo namazi bëhej në vetmi dhe nuk kishte namaz me xhemat e as namaz të xhumasë.

    Kishin frikë për ta përqafuar Islamin. Kishin frikë për ta mbajtur atë.

    Madje kishin frikë edhe ta lëshonin Mekën e të shkonin me një vend tjetër më të sigurt për fenë e tyre.

    Pasi të gjitha atyre torturave, vrasjeve, shqetësimeve që zgjatën trembëdhjetë vite në Mekë, Pejgamberi ﷺ  dhe besimtarët bënë hixhret për në Medinë.

    Posa arriti në Medinë, Pejgamberi ﷺ  i bëri disa punë apo i mori disa hapa të rëndësishëm, e ndër to, po i përmendi dy kryesoret:

    1.E ndërtoi xhaminë.

    2.I vëllazëroi muhaxhirët (mekasit) dhe ensarët (medinasit) mes vete. Si dhe i eliminoi armiqësitë që kishin zgjatur me vite të tëra mes dy fiseve medinase, eus dhe hazrexh.

    Çka do të thotë ndërtim i xhamisë? Përse së pari xhamia, e pastaj punët tjera?

    Për xhaminë janë të lidhura shumë adhurime në Islam:

    Namazi, hutbeja, daveti islam, shpërndarja e sadakave, aty flinin të varfrit që nuk kishin strehim, aty u eliminuan armiqësitë dhe urrejtjet mes muslimanëve, aty mësohej dhe edukohej besimtari, në xhami njoftoheshin njerëzit mes vete, sepse kishte njerëz që vinin nga shkretëtira e kishte edhe vendas, e që vendtakimin e kishin në xhami.

    E dini rastin kur Pejgamberi ﷺ dërgoi një ekspeditë në drejtim të Nexhdit (në lindje të Medinës). Ata u kthyen me një burrë të fisit benu hanife, që quhej Thumame ibn Uthali. E lidhën për shtylle të xhamisë, ndërsa Pejgamberi ﷺ doli dhe tha: “Ç’ke për të thënë, o Thumame?”

    – Vetëm mirësi, o Muhamed. Nëse më vret, vret njeri për të cilin ka kush hakmerret, e, nëse bën mirë, i bën mirë një falënderuesi. Nëse dëshiron pasuri, kërko sa të duash, – tha ai.

    (Pejgamberi ﷺ  ia përsëriti tri ditë këtë, e pastaj tha):

    “Zgjidheni Thumamen!”

    Kështu, ai shkoi te një kopsht hurmash afër xhamisë dhe u pastrua, pastaj hyri në xhami dhe tha: Eshhedu en la ilahe ilallah ve ene Muhameden Resulullah (Dëshmoj se s’ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut).[1]

    Shikoni, Thumame nuk e pranoi Islamin sa ishte në pranga, por kur u lirua. Ai e pa me sytë e vet, edukatën, mirësinë e nderimin. Ai pa aty shoqëri të shëndoshë.

    Pejgamberi ﷺ  posa arriti në periferi të Medinës, në vendin Kuba, aty e ndërtoi xhaminë e Kubasë, pastaj e nderoi xhaminë në Medinë. Këto punë i bëri ende pa e ndërtuar shtëpinë e vet. Me këtë, sikur po na thotë Pejgamberi ﷺ  se lidhja jonë me Allahun është më e rëndësishme se shtëpitë tona, madje më e rëndësishme se e tërë dynjaja.

    Sikur po na thotë: Bashkimi i zemrave, afërsia e trupave, përcjellja e gjendjes së njëri-tjetrit dhe përkrahja e njëri-tjetri është më rëndësishme se ndërtimi i shtëpisë personale dhe më e rëndësishme se çështja e sigurimit të kafshatës së gojës.

    Pejgamberi ﷺ  mori pjesë edhe vet në ndërtimin e xhamisë. Dhe këtu e shohim modestinë që e kishte dhe ai deshi që të jetë shëmbëlltyrë për të tjetër se prijësi duhet të jetë i pari në punë të hajrit.

    Xhamitë janë vendet më të dashura te Allahu; Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Vendet më të dashura tek Allahu janë xhamitë, kurse vendet më të urryera tek Allahu janë tregjet.”[2]

    Në xhami pastrohen zemrat nga mëkatet, por para shkuarjes në xhami pastrohen e trupat nga papastërtitë.

    Në xhami zbret mëshira e Allahut; Pejgamberi ﷺ  ka thënë:

    “Sa herë që mblidhen ndonjë grup, në ndonjë shtëpi prej shtëpive të Allahut (në xhami), të cilët e lexojnë Librin e Allahut dhe e studiojnë mes vete, do t’u zbres atyre qetësia e do t’i kaplojë mëshira…”[3]

    Xhamia ndryshon nga vendet tjera. Kur të hyjmë në xhami, nuk ulemi pa i falur dy rekate namaz, që janë përshëndetje të xhamisë (tehijetul mesxhid). Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Kur dikush hyn në xhami, të mos ulet pa i falur dy rekate.”[4]

    Po ashtu është transmetuar ndalesa e shitblerjes në xhami si dhe kërkimi i gjësë së humbur në të.[5]

    Pastaj, Allahu i ka lavdëruar ata që përkujdesen për xhamitë:

    ﴿إِنَّمَا يَعۡمُرُ مَسَٰجِدَ ٱللَّهِ مَنۡ ءَامَنَ بِٱللَّهِ وَٱلۡيَوۡمِ ٱلۡأٓخِرِ ١٨﴾

    “Xhamitë e Allahut i mirëmbajnë ata të cilët besojnë Allahun dhe botën tjetër…” (Teube, 18)

    Pejgamberi ﷺ  i ka përgëzuar ata që japin për ndërtimin e xhamive duke thënë:

    “Atij që ndërton një xhami për hir të Allahut, Allahu ia ndërton një shtëpi në Xhenet.”[6]

    Në xhami të gjithë jemi të njëjtë. Shikoni xhematin ku ishin sahabet: Ebu Bekri ishte nga fisi kurejsh, Abdullah ibn Selami ishte hebre që e kishte pranuar Islamin, Bilali ishte nga Abisinia apo Etiopia e sotme, Adij ibn Hatimi kishte qenë i krishterë, por që më pas e pranoi Islamin, Selman Farisiu ishte persian. Me gjithë këtë larmi mes tyre, në xhami u bënë të njëjtë, aty s’kishte dallim mes tyre.

    Hutbeja e dytë:

    Muhaxhirët kur shkuan në Medinë, shkuan duar thatë, nuk kishin gjë me vete. Madje shkuan tek ensarët, me të cilit nuk njiheshin fare. Por, pasi i vëllazëroi Pejgamberi ﷺ  mes vete, e që nuk ishte thjeshtë fjalë goje, kërkohej nga ensarët që t’u ndihmonin me pasuri e me vendbanim. Megjithatë muhaxhirët ishin njerëz të zellshëm, ishin punëtorë. Për këtë arsye kur ensarët deshën që t’ua falnin pallmat me hurma, muhaxhirët nuk pranuan që t’i marrin këto toka, e këto pallma me hurma, në këtë formë pa kurrfarë shërbimi, andaj kërkuan nga ensarët që ta bëjmë një marrëveshje: Pallmat mbesin të ensaërve, porse muhaxhirët do të përkujdesen për tokat dhe pallmat me përqindje ashtu që fitimin ta ndajnë së bashku.

    Pejgamberi ﷺ  këtë shoqëri e ngriti mbi bazën e vëllazërisë, duke e eliminuar çdo lloj përçarje apo urrejtje mes vete. Allahu i Madhëruar në Kuran na thotë:

    ﴿وَلَا تَكُونُواْ كَٱلَّذِينَ تَفَرَّقُواْ وَٱخۡتَلَفُواْ مِنۢ بَعۡدِ مَا جَآءَهُمُ ٱلۡبَيِّنَٰتُۚ وَأُوْلَٰٓئِكَ لَهُمۡ عَذَابٌ عَظِيمٞ١٠٥﴾

    “E mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentet. Ata do të kenë një dënim të madh.” (Ali Imran, 105)

    Ne e dimë se as në punët e dynjasë, nuk mund të bëjmë asgjë të vetëm. Madje edhe duart kur i pastrojmë duhet t’i pastrojmë njërën me tjetrën.

    Muret nuk mund të ndërtohen veçse me bashkimin e tullave mes vete.

    Madje Pejgamberi ﷺ  na e tërhoqi vërejtjen edhe nga shtrembërimi i safit apo rreshtit në namaz, sepse kjo na qon në përçarje; Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Drejtoni dhe mos i shtrembëroni safat, se do t’ju përçahen zemrat.[7]

    [1] Buhariu nr.4372.

    [2] Muslimi nr.671.

    [3] Muslimi nr.2699.

    [4] Buhariu nr.1163.

    [5] Tirmidhiu nr.322 dhe nr.1321.

    [6] Muslimi nr.533.

    [7] Muslimi nr. 432.

    Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

  • Tregimi i pendimtarit, i cili kishte mbytur 100 njerëz

    Tregimi i pendimtarit, i cili kishte mbytur 100 njerëz

    I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

    “Para jush ka qenë një njeri, i cili i ka mbytur nëntëdhjetë e nëntë njerëz. Ai pyet më të diturin e atij vendi për mëkatin e tij, e ai e shpie te një mistik. Shkon te mistiku, e i thotë: “Kam vrarë nëntëdhjetë e nëntë njerëz, a ka shpresë që të më pranohet pendimi?” Ai i përgjigjet: “Jo”. Nga mllefi e mbyt edhe këtë dhe i bën njëqind. Pastaj pyet: “Cili është dijetari më i njohur në botë?” Ia tregojnë dijetarin më të njohur. Shkon te ai dhe i thotë: “Kam vrarë njëqind njerëz. A kam shpresë që të pendohem e të më pranohet pendimi?” Ai i përgjigjet: “Po”. Pastaj i thotë: “Ajo çka është pengesë mes teje dhe pendimit është se ti duhet të shkosh në një vend, sepse në atë vend ka njerëz, të cilët e adhurojnë Allahun. Edhe ti adhuroje së bashku me ta dhe mos u kthe më në vendin tënd, sepse është vend i keq”.

    Kështu që niset për të shkuar në atë vend. Kur arrin në mes të rrugës e takon vdekja. Atëherë bisedojnë Meleku i mëshirës me Melekun e dënimit. Meleku i mëshirës thotë: “Ka ardhur i penduar, me zemër të orientuar te Allahu i Lartmadhëruar”. Meleku i dënimit thotë: “Ai kurrë nuk ka bërë ndonjëherë ndonjë punë të mirë”. Një melek në formë njeriu u afrohet atyre. Atëherë vendosin që ai të gjykojë me drejtësi. Ai u thotë: “Mateni gjatësinë në mes dy vendeve dhe shikoni se nga cili vend vendvdekja e tij është më afër”. Kur e masin gjatësinë shohin se ai është më afër vendit, për të cilin ishte nisur. Për këtë arsye e merr me vete meleku i mëshirës”. (Muttefekun alejhi)

  • Sadakaja e pranuar

    Sadakaja e pranuar

    I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

    “Një njeri tha: “Do të jap sadaka.”

    Doli dhe e dha sadakanë në dorë të një hajni. Të nesërmen të tjerët thoshin: “Dje ky njeri i ka dhënë sadaka hajnit.” Ai tha në vetvete: “O Zoti im! Vetëm Ty të takon falënderimi! Unë prapë do të jap sadaka.”

    Del nga shtëpia dhe i jep sadaka një prostitute. Të nesërmen njerëzit thoshin se ky njeri i ka dhënë sadaka prostitutës!” Ai tha në vetvete: “O Zoti im! Vetëm Ty të takon falënderimi! Unë prapë do të jap sadaka.”

    Kështu që del nga shtëpia dhe i jep sadaka një të pasuri. Të nesërmen njerëzit thoshin se ai i ka dhënë sadaka një të pasuri.Ai tha në vetvete: “O Zoti im! Vetëm Ty të takon falënderimi, për atë që i kam dhënë sadaka: hajnit, prostitutës dhe të pasurit!”

    Atij pastaj i paraqitet (në ëndërr) një zë duke i thënë: “Sadakaja e jote e dhënë hajnit ndikoi që ai të largohet nga vjedhja; sadakaja e jote e dhënë prostitutës ndikoi që ajo të largohet nga prostitucioni;  sadakaja e jote e dhënë të pasurit ndikoi që ai të ketë në konsideratë, dhe të shpenzojë (t’u japë të tjerëve) prej asaj çka i ka dhënë Allahu.”

     

    (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline