Category: Ilaçe për zemrën / Rukja

  • MEDITIMI NË DËMET DHE PASOJAT E MËKATEVE

    MEDITIMI NË DËMET DHE PASOJAT E MËKATEVE

    Jahja ibën Muadh ka thënë: “Kush i kënaq gjymtyrët në gjynahe, veçse i ka mbjellë vetes pemën e keqardhjeve.”

    Abdusamed Ez-Zahid thotë: “Kush nuk e kupton që pasionet, janë kurth ai është i mashtruar.”

    Njohja e dëmit, dhembjeve dhe pasojave që i japin mëkatet është pengesë e fortë për njeriun që mos të bjerë në mëkat. Atij i mjafton që të meditojë për ndodhitë e të tjerëve dhe ajo që i ka goditur popujt e mëhershëm nga fatkeqësitë dhe dëmet për shkak të mëkateve.

    Kush i nxori prindërit tanë (Ademin dhe Havën) prej vendbanimit të kënaqësisë dhe lumturisë në vendbanimin e dhembjeve dhe mërzisë? Ishte mëkati! Kush e nxori Iblisin nga mbretëria e qiellit, u dëbua, u mallkua, u shndërrua pamja e tij, e jashtëm dhe e brendshme, në pamje të shëmtuar, afërsinë e ndërroi me largësi, mëshirën me mallkim, Xhenetin me zjarrin flakërues, u poshtërua para Allahut, u shndërrua në mëkatar kriminel që e çon njerëzimin për në çdo krim dhe sherr. Ishte mëkati? Kush ishte shkak që të gjithë banorët e Tokës të përmbyteshin në ujë, derisa niveli i ujit arriti deri mbi majet e maleve? Kush ishte shkak që populli i Adit të dënohej me erën shkatërruese derisa mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura? Kush ishte shkak që populli i Themudit të dënohej me një ulërimë të tmerrshme derisa u copëtuan zemrat në gjokset e tyre? Kush ishte shkak që qyteti i Sedumit, qyteti i Lutit, alejhi selam, në tërësi të ngrihet lart në qiell, derisa melekët në qiell i dëgjuan të lehurat e qenve të qytetit, e pastaj të përmbysej çdo gjë, saqë, ato që ishin lart, Allahu i ktheu poshtë dhe mbi ta lëshoi gurë nga balta e pjekur duke rënë vazhdimisht, si shiu, kështu nuk mbeti në të jetë dhe njeri i gjallë. Kush ishte shkak që popullin e Shuajbit ta godiste dënimi i Ditës së Errësirës, kur retë erdhën mbi kokat e tyre, në vend të shiut, filloi të binte zjarr flakërues dhe t’i digjte ata? Kush ishte shkak që Faraoni dhe populli i tij të përmbyteshin në det, e shpirtrat e tyre të dënohen në zjarr, ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit)? Pra, trupat u dënuan me përmbytje, shpirtrat me zjarr, e takimi me Allahun do të jetë në Ditën e Kiametit, ku do ta marrin edhe dënimin e madh dhe përgjithmonë!
    Andaj, meditimi në dhembjet dhe fatkeqësitë që i sjellin mëkatet, çon në devotshmëri. Në bërjen e mëkatit mund të ndihet një lloj kënaqësie, por e përkohshme, ndërsa pasojat e mëkatit janë të mëdha dhe të vazhdueshme, nëse njeriu nuk pendohet.

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Pjesë nga libri “Frenat”, është i përkthyer në gjuhën shqipe).

  • ILAÇI I ZEMËRIMIT

    ILAÇI I ZEMËRIMIT

    Pasi zemërimi vjen nga padurimi i shpirtit, si dhe është shkak që shejtani të dominojë mbi njeriun dhe ta marrë nën kontrollin e tij, njohja e metodave për ta shëruar zemërimin bëhet e patjetërsueshme, me qëllim që të ndalohet dëmi i tij.

    Nga ato metoda përmendim:

    1. Njohja e vlerës së mposhtjes së zemërimit.

    Njohja e vlerës së një gjëje çon deri në kërkim për ta arritur atë.

    Sehl ibën Muadh ibën Enes El-Xhuhenij përcjell nga babai i tij, e ai nga Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se ka thënë: “Kush e mposht zemërimin e tij, duke e pasur mundësinë që ta nxjerrë atë, Allahu do ta thërrasë para të gjitha krijesave në Ditën e Kiametit, do t’i thotë të zgjedhë nga hyritë e Xhenetit cilat i dëshiron.”

    Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se ka thënë: “Nuk ka gëlltitje me shpërblim më të madh tek Allahu se gëlltitja e zemërimit të atij robi, i cili e mposhti zemërimin vetëm për hir që e kërkon Fytyrën e Allahut.”

    2. Largimi nga çdo gjë që e shkakton zemërimin dhe përpjekja e shpirtit për ta larguar atë.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se një burrë i tha Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Më porosit (këshillo) diçka?” I tha: “Mos u zemëro.”, duke e përsëritur disa herë: “Mos u zemëro.”

    Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Fjalët që ia tha Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i përmbajnë dy mundësi:

    Mundësia e parë: Qëllimi i tij të jetë që i këshilluari detyrimisht të kapet për shkaqet që e detyrojnë moralin e mirë, si: fisnikëria, bujaria, butësia, turpi, modestia, durimi, mosdëmtimi i tjetrit, falja, mposhtja e zemërimit, buzëqeshja dhe të ngjashme me to prej moralit të lavdëruar. Nëse shpirti edukohet me këto virtyte dhe i bëhen tabiate të tij, kjo e detyron shpirtin që ta largojë zemërimin, atëherë kur arrihen shkaqet e ndodhjes së tij.

    Mundësia e dytë: Qëllimi i tij të jetë që, nëse vjen deri te zemërimi i tij, të mos veprojë sipas zemërimit, por të mundohet që mos ta nxjerrë jashtë dhe mos ta lejojë që të veprojë nën ndikimin e tij.”

    3. Kërkimi i mbrojtjes së Allahut nga shejtani i mallkuar.

    Shejtani është zanafilla e çdo belaje dhe nxitësi për në çdo sherr. Allahu thotë: “Nëse djalli përpiqet të të shtyjë drejt së keqes, kërko strehim tek Allahu, se vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka.” (El-Earaf: 200)

    Sulejman ibën Sured përcjell se në prani të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u fjalosën dy burra njëri me tjetrin, derisa njërit iu skuq fytyra dhe iu ngritën damarët e qafës nga zemërimi. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Vërtetë, unë e di një fjalë, po ta thotë, do t’i kalojë ajo që e gjen nga zemërimi i tij! Të thotë: Eudhu bilahi mine shejtani rraxhim (kërkoj mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar).” Kur e lajmëruan atë që u zemërua për këto fjalë, tha: “Unë nuk jam i çmendur!”

    4. Heshtja në momentin e zemërimit dhe burgimi i gjuhës.

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Mësojini të tjerët, lehtësoni dhe mos vështirësoni. E, nëse ndodh që të zemërohesh, hesht e, nëse ndodh që të zemërohesh, hesht e, nëse ndodh që të zemërohesh, hesht.”

    5. Ndryshimi i gjendjes.

    Ebu Dheri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, na tha: “Kur ndonjëri prej jush zemërohet dhe ai është në këmbë, le të ulet që t’i kalojë zemërimi, ose përndryshe, le të shtrihet.”

    6. Njohja e rezultateve dhe pasojave që i jep zemërimi.

    Njeriu, në momentin e zemërimit, mund të ndodhë që ta humbë më të shtrenjtën që e posedon. Sa herë zemërimi ka qenë shkak që të vijë deri te ndarja në mes bashkëshortëve, e të privohen fëmijët, e të mos jepen të drejtat, e të tejkalohen kufijtë, e të dhunohen të dobëtit dhe vëllezërit myslimanë?

    Kur i mençuri e kupton se ku e çon zemërimi dhe cilat janë pasojat e tij, ruhet dhe e mban veten.

    – Muaviu ibën Ebu Sufjani kur u zemërua e rikujtoi hadithin:

    Muavije ibën Ebi Sufjan, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, një herë ua kishte ndalur rrogat njerëzve për dy apo tre muaj (të hollat që i merrnin të gjithë njerëzit prej arkës shtetërore). Kur hipi në minber ta mbante hutben, Ebu Muslimi i tha: “O Muavije! Kjo pasuri nuk është jotja, e as e babait tënd, e as e nënës sate.” Muavije u tha njerëzve që të qëndronin në vend, ai zbriti prej minberit dhe mori abdes, pastaj u kthye dhe tha: “E tha të vërtetën Ebu Muslimi! E kam dëgjuar Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke thënë: ‘Zemërimi vjen prej shejtanit, shejtani është prej zjarrit, ndërsa uji e fik zjarrin. Andaj, nëse zemërohet ndonjëri prej jush, le të marrë abdes’; tash shkoni merrni rrogat tuaja, Allahu ju bekoftë!”

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Pjesë nga libri “Frenat”, është i përkthyer në gjuhën shqipe).

  • SA HUMBJE E MADHE PËR TË PAJKUDESSHMIT!

    SA HUMBJE E MADHE PËR TË PAJKUDESSHMIT!

    Pakujdesia ndaj përmendjes së Allahut është humbje e madhe, me pasoja të rënda dhe që çon në zemërngurtësi.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të ketë thënë: “Kur ulet një popull me një vend dhe nuk e përmend Allahun dhe nuk i dërgon salavate të Dërguarit të Tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për të kjo është humbje. E, nëse do Allahu, e dënon dhe, nëse do, e fal.”

    Imam Tirmidhiu, Allahu e mëshiroftë, pasi e shënoi hadithin tha: “Kuptimi i fjalës në hadith ‘humbje’ për qëllim është humbje dhe pikëllim (në dynja dhe ahiret). Kuptimi i fjalës ‘e, nëse do Allahu, atë e dënon’ për qëllim është i dënon me mëkatet e mëhershme dhe mangësitë e tyre të mëvonshme.”

    Imam Et-Tibij, Allahu e mëshiroftë, për fjalët “e, nëse do Allahu, ata i dënon” thotë se janë nga aspekti i shtrëngimit dhe i ashpërsisë, ngase ekziston mundësia që të burojë prej gjuhëve të tyre ndonjë fjalë që e detyron dënimin.

    Kur pjesëmarrësit e mexhlisit janë të pakujdesshëm ndaj përmendjes së Allahut, gjuhët e tyre janë më afër që të rrëshqasin në mëkate dhe ta meritojnë dënimin. E më këtë atyre u plotësohet humbja.

    Nga mirësitë e dhikrit është ruajtja e gjuhës nga zararet dhe nga rënia në gjynahe shkatërruese. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “A thua njerëzit hidhen në zjarr me fytyra të tyre për diç tjetër pos për shkak të të korrurave të gjuhëve të tyre?”

    Pjesë nga libri: “DOMETHËNIET DHE KUPTIMET E DHIKRIT” – MUHAMED EL-MUNEXHID (Është e përkthyer në shqip).

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • PËRFITIMI I SHKATHTËSIVE TE FËMIJA

    PËRFITIMI I SHKATHTËSIVE TE FËMIJA

    Prej shkathtësive shoqërore që kërkohen të mbillen dhe të zhvillohen te fëmija, përmendim:

    – Pritja dhe përcjellja e të tjerëve, bashkëndjenja me të tjerët, kuptimi i ndjenjave të tyre dhe të përgjigjurit në kërkesat e tyre, paraqitja e gëzimit me prezencën e të tjerëve, këmbimi i mendimeve me fëmijët, kontaktet pozitive me njerëzit, përdorimi i fjalëve të qarta të lehta për shprehje.

    – Falënderimi që fëmija ia bën shokut të vet, i cili ia ka bërë një të mirë atij, është shkathtësi shoqërore.

    – Kërkimi i faljes që fëmija ia bën shokut kur gabon ndaj tij, është shkathtësi shoqërore.

    – Interesimi i fëmijës për fëmijët e tjerë kur mungojnë në shkollë apo çerdhe, është shkathtësi shoqërore.

    – Përshëndetja e fëmijës që ia bën shokut të vet kur e takon, është shkathtësi shoqërore.

    – Bashkëndjenja e fëmijës me shokun e vet kur ai mërzitet ose frikësohet duke ia lehtësuar atij, ose pikëllimi i tij kur shoku pikëllohet, është shkathtësi shoqërore.

    Nga mjetet më të rëndësishme që i kultivojnë shkathtësitë shoqërore të fëmijës, theksojmë:

    – Rritja e mençurisë shoqërore te fëmija duke i ndihmuar atij me mundësinë që të lidhet me të tjerët, t’i kuptojë ndjenjat e tyre dhe t’u përgjigjet atyre nevojave.

    – Respektimi dhe aktivizimi i vetes, mbjellja e ndjenjës së krenarisë dhe vetëbesimit, edukimi i tij që t’i mbështetet vetes dhe të jetë i pavarur në kryerjen e nevojës së tij, në zgjedhjen e lojërave dhe rrobave të tij, në zgjidhjen e problemeve të tij me shokët, në angazhimin e tij të marrë pjesë në aktivitetet shtëpiake të lehta, si: përgatitja e sofrës, futjen e mbeturinave në qese etj.

    Po ashtu atij duhet t’i jepet mundësia që të marrë vendime dhe ta bartë përgjegjësinë e vendimmarrjes, dhe kohë pas kohe t’i thuhen fjalë nxitëse për vendimet e drejta që i merr.

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • FËMIJA ËSHTË AMANET

    FËMIJA ËSHTË AMANET

    Dijetarët kanë thënë: “Fëmija është amanet te prindërit. Zemra e tij e pastër është gur i çmuar, e shtrenjtë, e pafajshme, pa asnjë njollë dhe gjurmë. Ajo ka aftësi të pranojë çdo gjë dhe të anojë kah çdo gjë që anon kah ajo.

    Nëse ajo kalitet me mirësi dhe i mësohet e mira, fëmija do të rritet me atë mirësi dhe do të lumturohet në dynja dhe ahiret. Në shpërblim do të jetë pjesëmarrës edhe prindi, çdo mësues dhe edukator i tij.

    A nëse ajo kalitet me sherr dhe i mësohet e keqja, lihet anash sikurse të jetë kafshë, ai do të jetojë fatkeq dhe do të shkatërrohet. Faji dhe përgjegjësia do të bjerë mbi supet e tij dhe mbi supet e përgjegjësit dhe edukatorit të tij.

    Sado që prindi të mundohet ta ruajë fëmijën nga zjarri i dynjasë, ruajtja dhe mbrojtja e tij nga zjarri i ahiretit duhet të jetë prioriteti dhe synimi kryesor.”

    Ihja ulum ed-din, Imam Gazaliu (3/72).

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • PREJ SHENJAVE QË E DO ALLAHUN ËSHTË PËRMENDJA E SHPESHTË E TIJ

    PREJ SHENJAVE QË E DO ALLAHUN ËSHTË PËRMENDJA E SHPESHTË E TIJ

    “Përcjell er-Rebia ibn Enes, Allahu e mëshiroftë, prej disa shokëve të tij që thoshin: ‘Prej shenjave që Allahun e do është përmendja e shpeshtë e Tij. Çdoherë kur e do një gjë, e shpeshton përmendjen e saj.’

    Fet’hun el-Musilij, Allahu e mëshiroftë, tha: ‘Ai që e do Allahun, nuk e lë përmendjen e Tij as sa përpëlitja e syrit.’

    Një tjetër tha: ‘Kush e angazhon zemrën dhe gjuhën e tij me dhikër, Allahu ia hedh në zemër dritën e përmallimit për Të.’

    Ibrahim ibn el-Xhunejd, Allahu e mëshiroftë, tha: ‘Thuhet se një prej shenjave të atij që e do Allahun është përmendja e shpeshtë e Allahut me zemër dhe me gjuhë. Çdoherë që njeriut i shtohet dashuria për ta përmendur Allahun, veçse me të e përfiton dashurinë e Allahut.’

    Njëri prej të parëve tanë të mirë në lutjet e tij thoshte: ‘O Zot! Nëse dembeli bezdiset prej dembelisë së tij, ata që të duan, nuk bezdisen nga lutja dhe përmendja Jote.’

    Ebu Xhafer el-Muhavelij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: ‘Ai që Allahun e do, zemra e tij e përmend pa ndalur dhe nuk mërzitet nga adhurimi i Tij.’ ”[1]

     

    Pjesë nga libri: “DOMETHËNIET DHE KUPTIMET E DHIKRIT” – MUHAMED EL-MUNEXHID (Është e përkthyer në shqip).

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

    [1] Xhami’ el-Ulum ue el-Hikem (2/516).

  • DOBITË E DHIKRIT

    DOBITË E DHIKRIT

    – Dhikri ka shumë dobi dhe mirësi që prej tyre përmendësi përfiton në dynja dhe në ahiret. Nga to:

    • Dhikri e largon shejtanin dhe e thyen atë.
    • Dhikri e kënaq Allahun.
    • Dhikri e largon mërzinë dhe pikëllimin nga zemra.
    • Dhikri i jep zemrës gëzim, lumturi dhe gjerësi.
    • Dhikri e kënaq dhe e forcon zemrën.
    • Dhikri u jep fytyrës dhe zemrës dritë.
    • Dhikri është shkak për risk.
    • Dhikri i jep përmendësit freski dhe ëmbëlsi.
    • Dhikri ia mbjell përmendësit dashurinë, e cila është shpirti i Islamit.
    • Dhikri ia mbjell përmendësit vetëdijen e mbikëqyrjes së Allahut, derisa ta futë në derën e mirësisë.
    • Dhikri ia mbjell përmendësit në zemër kthimin tek Allahu.
    • Dhikri ia mbjell përmendësit në zemër frikërespektin ndaj Allahut.
    • Dhikri ia mbjell përmendësit në zemër shkëlqimin dhe e ruan nga ndryshkja.
    • Dhikri i shlyen mëkatet. Ai është nga veprat më të mira, ndërsa vepra e mirë e shlyen të keqen.
    • Dhikri e largon egërsinë në mes robit dhe në mes Allahut.
    • Dhikri është shkak për përfitimin e mirësive dhe largimin e fatkeqësive. S’ka vepër të ngjashme që i përfiton mirësitë e Allahut dhe i largon fatkeqësitë si dhikri.
    • Dhikri është shpëtim nga vështirësitë.
    • Dhikri është siguri nga humbja në Ditën e Kiametit.
    • Dhikri është nga ibadetet e lehta, më i vlefshmi dhe më i miri.
    • Shpërblimet dhe mirësitë që vijnë si shkak i dhikrit, nuk i gjen te veprat e tjera të ngjashme me të.
    • Përmendja e Allahut në vazhdimësi e garanton mosharresën e Allahut, ndërsa harresa e Allahut e detyron fatkeqësinë e robit.
    • Nuk ka asnjë vepër si dhikri që i gjithëpërfshin kohët dhe situatat.
    • Në zemër ka boshllëk që nuk e plotëson atë diçka tjetër përveç dhikrit.
    • Dhikri i jep fuqi atij që e përmend Allahun, saqë me dhikër mund të bëjë gjëra që nuk mundet t’i bëjë pa dhikër.

    El-Vabil es-Sajib (fq. 4182), Ibn el-Kajim

    Pjesë nga libri: “DOMETHËNIET DHE KUPTIMET E DHIKRIT” – MUHAMED EL-MUNEXHID (Është e përkthyer në shqip).

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • RREZIKU I DËGJIMIT TË MUZIKËS

    RREZIKU I DËGJIMIT TË MUZIKËS

    O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe dijeni se prej gjërave që më së shumti e largon njeriun prej përmendjes së Allahut dhe i preokupon robërit prej adhurimeve është dëgjimi i muzikës dhe i instrumenteve muzikore. Kohëve të fundit muzika dhe instrumentet muzikore i kanë pushtuar shumicën e shtëpive muslimane dhe kanë arritur që të depërtojnë edhe në ato shtëpi ku armiku asnjëherë nuk ka ëndërruar se do të hyjë. Plot prej burrave edhe grave me besim të dobët dhe me vetëdije të ulët fetare janë sprovuar me muzikën dhe instrumentet muzikore dhe pas hapave të tyre kanë ecur edhe të rinjtë e këtij Umeti prej djemve dhe vajzave të cilët kohën e tyre e kalojnë në dëgjimin e muzikës prej radiove dhe kasetave. Kësaj dukurie negative i bashkëngjiten edhe gazetat dhe revistat e ndryshme të cilat nëpër faqet e tyre i përhapin fotot dhe emrat e këngëtarëve dhe këngëtareve me qëllim që njerëzit t’i njohin më mirë dhe më lehtë ta shesin mallin e tyre të helmuar dhe të pisët. Kjo ka bërë që një numër i madh i të rinjve muslimanë t’i njohin të gjithë emrat e këngëtarëve dhe të këngëve të tyre, t’i njohin imtësitë e jetës private të tyre dhe të familjeve të tyre, mirëpo nëse i pyet rreth kuptimit të shehadetit (fjalës la ilahe il-lAllah) dhe kohërave të namazit do të thonë nuk dimë asgjë rreth tyre. Prej nga ta dinë dhe si ta dinë kur ambiciet e tyre janë të drejtuara kah mjetet e informimit dhe programet e tyre, ku pjesën më të madhe të programit të tyre e përfshin muzika dhe veglat muzikore dhe emisionet për këngëtarët dhe këngëtaret.

    O robër të Allahut, kush ka qenë në dyshim rreth ndalesës së muzikës dhe instrumenteve muzikore, le ta largojë dyshimin e tij me bindje prej fjalëve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kanë ardhur shumë citate prej Kur’ani dhe Suneti të cilat aludojnë në ndalesën e muzikës dhe kërcënimin e atij që e lejon dhe vazhdon në të. Besimtarit apo besimtares i mjafton edhe po të ishte vetëm se një ajet apo hadith që t’i largohet këtij mëkati e mos të flasim për gjithë ato citate që kanë ardhur rreth ndalesës së muzikës: Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur”. (El-Ahzab: 36)

    Allahu, azze ue xhel, i paralajmëron njerëzit nga rreziku i mëkatit të muzikës dhe instrumenteve të tij dhe ua tërheq vërejtjen atyre që ja dhënë pas dëgjimit të tij dhe përdorimit të mjeteve të tij se do t’i dënon rreptë nëse ata e vazhdojnë këtë rrugë dhe tha: Ka disa njerëz që sajojnë tregime të kota, për të shmangur (të tjerët) nga rruga e Allahut me paditurinë e tyre e për t’u tallur me të. Njerëz të tillë i pret dënimi poshtërues. Kur ndonjërit prej tyre i lexohen shpalljet Tona, ai e kthen shpinën me mendjemadhësi, sikur nuk i ka dëgjuar, sikur i janë shurdhuar veshët. Andaj, jepu lajmin e dënimit të dhembshëm”. (Lukman: 6-7)

    Shumica e komentuesve të Kur’anit janë të mendimit se thënia në ajet: “tregime të kota” e ka për qëllim muzikën dhe Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, është betuar tri herë se ajeti e ka për qëllim muzikën.

    Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith nga Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i cili kishte thënë: “Do të ketë njerëz prej umetit tim që do ta lejojnë kurvërinë, mëndafshinalkoolin dhe instrumentet muzikore”.

    Ky hadith është argument i qartë dhe i prerë i cili aludon në ndalimin e të gjitha llojeve të instrumenteve muzikore dhe i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e qortoi lejimin e instrumenteve muzikore dhe ndalesën e lejimin të tyre e bëri paralel me ndalesën e lejimit të mëndafshit, imoralitetit dhe alkoolit.

    O robër të Allahut, pasojat e dëgjimit të muzikës janë të shumta dhe të rrezikshme. Prej pasojave veçohet se muzika e shkatërron zemrën dhe ia mbjell cilësitë e hipokrizisë, ashtu siç thanë shumica e selefit. Prej pasojave veçohet se dëgjimi i muzikës e largon prej zemrës dashurinë ndaj Kur’anit. Nuk ka mundësi asnjëherë që të bashkohet në një zemër dashuria ndaj Kur’anit dhe dashuria ndaj muzikës, sepse Kur’ani është shpallje nga Allahu kurse muzika është shpallje nga shejtani dhe çdo herë që janë bashkuar në një zemër shpallja e Allahut dhe shpallja e shejtanit vetëm se e ka nxjerr njëra tjetrën prej asaj zemre. Prej rreziqeve që i sjell dëgjimi i muzikës njeriut janë zemërimi i Allahut ndaj robit sepse muzika e largon prej përmendjes së Allahut dhe adhurimit të Tij dhe po ashtu është shkak për zbritjen e shumë ndëshkimeve në dynja dhe ahiret.

    Ibën el Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Atë që ne dhe të tjerët me sytë e tona e kemi vërejtur dhe e njohëm me prova është se në çdo popull kur janë paraqitur dhe përhapur muzika dhe instrumentet muzikore dhe njerëzit janë preokupuar me to, Allahu ua ka dërguar atij populli armikun që i ka sunduar, janë sprovuar me thatësira dhe varfëri dhe me udhëheqësi të keqe e të padrejtë”.

    Prej rrezikut të dëgjimit të muzikës është edhe afrimi i shejtanëve. Shejtanët janë shokët e këngëtarëve dhe atyre që i dëgjojnë dhe çdo gjë që i afron shejtanët i largon melekët, për arsye se ata janë dy të kundërta që asnjëherë nuk munden të bashkohen. Shtëpisë ku në të dëgjohet muzika i afrohen shejtanët dhe i largohen melekët dhe paramendoni se si është gjendja e banorëve të saj të cilët jetojnë së bashku me shejtanët?!

    Prej rreziqeve që i sjell muzika është edhe inkurajimi i njeriut për të shkuar pas imoralitetit. Këngëtarët i nxisin njerëzit t’i dëgjojnë këngët të cilat fokusohen në portretizimin e bukurisë femërore, tregimet romantike pasionante, poezitë kushtuar dashurisë dhe të dashuruarve, përshkrimi i belit, trupit, gushës, faqeve, syve e buzëve, duke ndezur imagjinatën dhe pasionin e mendjes dhe shpirtit.

    O robër të Allahut, pastroni shtëpitë e juaja prej këtyre fëlliqësirave dhe largoni prej tyre ato zëra të mallkuara dhe zëvendësoni ato me përmendjen e Allahut dhe leximin e Kur’anit.

    O ti që shet kaseta apo disqe që në to janë të incizuara kënga dhe muzikë, dije se mallin që e shet është haram dhe ti je shkak për përhapjen e degjenerimit dhe fitimi yt është haram. Pendohu tek Allahu me sinqeritet dhe zëvendësoje shitjen e këtyre kasetave dhe disqeve me shitjen e kasetave që në to janë të incizuara Kur’an dhe ligjërata të dobishme dhe dije se: Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë”. (Et-Talak: 2-3) Dhe po ashtu dije se ai që e le një vepër për hir të Allahut, Allahu ia zëvendëson me diçka më të mirë.

    O muslimanë, ne nuk jemi përgjegjës për radiot dhe kanalet televizive të jomuslimanëve që e përhapin degjenerimin për arsye se pas kufrit më nuk ka mëkat dhe prej tyre nuk pritet më asnjë mirësi, mirëpo ne jemi përgjegjës për muslimanët dhe fenë tyre dhe nderin e tyre. A nuk kanë aspak turp ata që këndojnë dhe e përhapin muzikën në mesin e muslimanëve? A nuk kanë aspak turp ata që i dëgjojnë ato muzika dhe i shkatërrojnë zemrat e tyre? A nuk kanë turp aspak ata muslimanë që gratë e tyre i lejojnë të dalin para ekraneve të këndojnë e të zhvishen para burrave të huaj? A nuk kanë turp ata muslimanë që nëpër dasmat e tyre shpenzojnë të holla për muzikë kurse muslimanëtë vuajnë prej varfërisë? A nuk kanë turp ata muslimanë që shkojnë nëpër dasma apo koncerte me muzikë dhe vallëzojnë së bashku burra e gra? A mendojnë ata se Allahu nuk i sheh? A mendojnë ata se Allahu është neglizhent dhe nuk do t’i dënojë? Pasha Allahun jo. Allahu e di shumë mirë se ata çka veprojnë dhe padyshim se ata do të shpërblehen për veprat e tyre në dynja dhe ahiret.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: Elif, Lâm, Mîm. Këto janë vargje të Librit plot Urtësi, udhërrëfyes dhe mëshirë për punëmirët, që kryejnë namazin, japin zeqatin dhe besojnë bindshëm në jetën tjetër. Këta janë udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm këta janë të shpëtuar. Ka disa njerëz që sajojnë tregime të kota, për të shmangur (të tjerët) nga rruga e Allahut me paditurinë e tyre e për t’u tallur me të. Njerëz të tillë i pret dënimi poshtërues. Kur ndonjërit prej tyre i lexohen shpalljet Tona, ai e kthen shpinën me mendjemadhësi, sikur nuk i ka dëgjuar, sikur i janë shurdhuar veshët. Andaj, jepu lajmin e dënimit të dhembshëm”. (Lukman: 1-7)

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

  • DHIKRI ËSHTË JETË PËR ZEMRËN

    DHIKRI ËSHTË JETË PËR ZEMRËN

    Ebu Musa, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend Allahun dhe i atij që nuk e përmend Allahun është sikurse shembulli i të gjallit me të vdekurin.”

    Me një transmetim tjetër: “Shembulli i shtëpisë ku në të përmendet Allahu dhe i shtëpisë ku në të nuk përmendet Allahu është sikurse shembulli i të gjallit me të vdekurin.”

    Kur zemra është e gjallë, ajo mbushet me iman, siç Allahu thotë: “Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrënqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu. Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush.” (Ez-Zumer: 23)

    Mjerë për atë të cilin zemra është e pandjeshme kur përmendet Allahu, sepse ajo ka vdekur. Allahu thotë: “Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu!” (Ez-Zumer: 22)

    Erdhi një njeri tek el-Hasan el-Basrij, Allahu e mëshiroftë, t’i ankohej për ngurtësinë që e ndiente në zemrën e tij, e ai i tha: “Zbute zemrën me dhikër.”; dhe kjo, sepse zemrës sa më shumë që i shtohet pakujdesia, aq më shumë i shtohet ngurtësia e, kur përmendet Allahu, ajo ngurtësi shkrihet.

    Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “S’ka dyshim që zemra ndryshket sikur ndryshken bakri e argjendi dhe metalet e tjera, ndërsa përmendja e Allahut e pastron atë, dhe aq shumë e pastron derisa e bën të duket si pasqyrë e bardhë. E, nëse zemra e braktis përmendjen e Allahut, ajo ndryshket.

    Ndryshkja e zemrës vjen për dy arsye: Pakujdesia dhe gjynahu.

    Pastrimi dhe shkëlqimi i zemrës vjen me dy gjëra: Me istigfar (kërkimfalje) dhe me dhikër (përmendje të Allahut).

    Kur zemrën e njeriut e pushton pakujdesia në shumicën e kohës, pritet që ndryshkja ta mbulojë atë, ndërsa sasia e ndryshkut varet krejtësisht nga sasia e pakujdesisë.”

    Dr. Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • MOSTËR NGA TË DREJTAT E MUSLIMANIT NDAJ MUSLIMANIT

    MOSTËR NGA TË DREJTAT E MUSLIMANIT NDAJ MUSLIMANIT

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, i cili na urdhëroi që të kapemi për litarin e Tij dhe na ndaloi prej përçarjes dhe kontradiktave: “Kush mbahet fort pas (fesë së) Allahut, sigurisht që është i drejtuar në udhë të mbarë” (Ali Imran: 101) Dëshmoj se nuk i takon me të vërtetë adhurimi askujt përveç se Allahut, i Cili është një dhe nuk ka shok. Dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij dhe dëshmoj se është njeriu me moral më të lartë dhe me zemër më të mirë dhe më të shëndoshë. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

    O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe dijeni se ju jeni vëllezër në Fe dhe se kjo vëllazëri dhe lidhje fetare është më e fortë se çdo lidhje tjetër. Ditën e Kiametit nuk ka dhe nuk vlen lidhja familjare mes jush, por atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun. Realizoni këtë vëllazëri me dashuri dhe afërsi mes jush, dojani njëri tjetrit të mirën dhe bashkëpunoni në të, veproni vepra të cilat e përforcojnë këtë lidhje dhe e kultivojnë atë dhe largojuni veprave të cilat e dobësojnë atë lidhje dhe e mangësojnë atë. Një umet nuk mundet të jetë umet dhe në të të ketë fuqi derisa nuk bëhet ashtu siç e ka përshkruar Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, në thënien e tij: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa, pjesët e të cilës mbajnë fort njëra-tjetrën”.

    O vëllezër, Allahu për ju e ligjësoi atë që e përforcon unitetin e juaj dhe e kultivon dashurinë mes jush dhe e largon armiqësinë dhe përçarjen e ajo është dhënia e selamit mes jush. Selami, pra, mbjell dashuri dhe afërsi, kurse braktisja e kontaktit mes jush sjell armiqësi dhe ashpërsi. Nëse e takoni njëri-tjetrin përshëndetuni mes jush dhe më të mirët nga ju janë ata që fillojnë të parët me selam dhe ai që ia kthen selamin le t’i përgjigjet me fytyrë të buzëqeshur dhe me përgjigje që dëgjohet.

    Allahu për ju e ligjësoi po ashtu edhe vizitën e njëri-tjetrit kur të sëmureni. Vizita e të sëmurit sjell dashuri dhe e zbut zemrën, e shton besimin dhe sjell shpërblime. Kush e viziton një të sëmurë e thërret një thirrës nga lart qiellit “U gëzofsh me të mira dhe u shpërblefshin hapat e tua me të mirë dhe shtëpia jote u bëftë Xheneti!”. Kush e viziton vëllain e vet musliman vazhdon të jetë në hurfet e Xhenetit derisa të kthehet nga vizita e të sëmurit. I thanë: O i Dërguar i Allahut, çka janë hurfet? Tha: “Frytet e Xhenetit”. Kush viziton një të sëmurë pëlqehet që t’i qëndrojë te koka dhe t’i jep gajret e ta qetësojë me fjalë të mira dhe të këndshme, duke i uruar shërim dhe jetëgjatësi. Kjo vepër ia ngrit moralin dhe e forcon shpirtërisht. Është mirë që vizituesi të kërkojë lutje prej të sëmurit, sepse lutja të cilën e bën i sëmuri për vizituesin i ngjan lutjes së melaqeve. Mirë është që t’ia rikujtojë pendimin dhe ta nxitë që kohën ta shfrytëzojë në lexim të Kur’anit, dhikrit dhe istigfarit dhe t’i tregojë se si duhet të pastrohet me ujë apo tejemum, si ta falë namazin, e si ta lë porosinë, për arsye se shumë nga të sëmurët nuk i dinë këto rregulla dhe dispozita.
    Allahu për ju ligjësoi po ashtu përmirësimin mes njerëzve. Allahu i Madhëruar në lidhje me këtë tha: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve”. (En-Nisa: 114) Me një hadith ka ardhur se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i ka thënë Ebu Ejubit, Allahu qoftë i kënaqur me të: “A dëshiron të tregoj për një tregti”. Ebu Ejubi iu përgjigj: “Po, o i Dërguar i Allahut”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: “Të shkosh dhe t’i përmirësosh njerëzit nëse ata janë përçarë mes vete dhe t’i afrosh ata mes tyre nëse janë larguar njëri nga tjetri”.

    Njeriu kur vëren se mes dy vetave ka armiqësi dhe përçarje mirë është që të merr iniciativë që ta largojë atë armiqësi derisa atë ta shndërrojë në shoqëri dhe largësinë mes tyre në afërsi dhe në këtë rast do të fitojë shumë mirësi dhe shpërblim të madh.

    I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ua ligjësoi që kur ta dëgjoni një musliman që teshtitë të thotë “Elhamdulilah-Falënderimi i takon Allahut” ju t’ia ktheni atij me “Jerhamukallah-Allahu ju mëshiroftë” që në fund ai t’ua kthejë dhe t’ju thotë “Jehdikumullahu ue juslih balekum- Allahu ju udhëzoftë dhe gjendjen e juaj e përmirësoftë”.

    Poashtu ua ligjësoi dhurimin e dhuratave mes jush dhe na lajmëroi se dhurata është shkak për largimin e zemërimit dhe sjell dashuri. Pra çdo gjë që sjell lidhje dhe unitet mes muslimanëve është e ligjësuar të veprohet dhe duhet të kapemi për të.

    Në anën tjetër i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ndaloi nga çdo gjë që i përçan dhe i largon muslimanët mes vete. E ndaloi që të distancohet vëllai musliman nga muslimani më shumë se tre ditë, t’ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit dhe mos ta përshëndesin njëri-tjetrin për arsye se armiqësia mes tyre në këtë mënyrë nuk do të largohet po vetëm se do të shtohet. Kjo sjellje pa dyshim se është e qortuar dhe nuk është e pranuar mirëpo e shohim se shejtani luan me disa njerëz derisa i shpien në këtë vepër edhe pse ndoshta ata janë njerëz që e duan hajrin dhe janë njerëz të kapur për fe, por shejtani i mashtron dhe fillojnë që të distancohen nga njëri-tjetri madje për çështje personale apo për interesa të dynjasë dhe harrojnë se Islami është më i vlefshëm se çdo gjë personale dhe dobi të dynjasë. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, rreth kësaj tha se: “Nuk i lejohet muslimanit ta bojkotojë vëllain e tij musliman më tepër se tre ditë. Nëse e bojkoton atë më shumë se tre ditë dhe vdes në këtë gjendje hyn në zjarr”.

    Dhe po ashtu tha: “Çdo të hënë dhe të enjte prezantohen veprat e robit dhe Allahu ia falë në ato ditë çdo robi që nuk i ka përshkruar shok dhe ortak Allahut përveç se atij i cili ka mosmarrëveshje me vëllain e vet musliman dhe Allahu thotë leni ata dy derisa të pajtohen mes tyre”.

    Largimi i muslimanit nga muslimani pra është i ndaluar përveç se nëse ai është mëkatar që i shfaq ato në publik dhe për atë ligjësohet nëse në largimin nga ai ka dobi që të largohen muslimanët një periudhë me qëllim që t’i largohet mëkateve apo t’i pakëson ato.

    Sheriati i Allahut ka ardhur me ndalesë sa i përket bartjes së fjalëve dhe ecjes në mesin e njerëzve me qëllim të shpërndarjes së tyre dhe futjes urrejtje në mesin e njerëzve. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai që bart fjalë”.

    Sheriati i Allahut po ashtu ndaloi nga sharja dhe fyerja për arsye se kjo shpien deri në armiqësi dhe urrejtje.

    O ju besimtarë, afrohuni mes vete dhe largoni armiqësitë dhe urrejtjet mes jush dhe bëhuni robër të Allahut vëllezër mes jush.

    Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni”. (El-Huxhurat: 10)

    Shejh Dr. Salih El Humejd

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU