Category: Ilaçe për zemrën / Rukja

  • MËKATI I KAMATËS, SA PËRFUNDIM I KEQ!

    MËKATI I KAMATËS, SA PËRFUNDIM I KEQ!

    Dijetari dhe hoxha i mirënjohur, Muhamed Hasani, përmend dhe thotë:

    Më erdhi një nxënës në qytetin Mensura të Egjiptit dhe u betua në Allahun që të lutem për prindin e tij që kishte ndërruar jetë në të njëjtën ditë. Pastaj filloi të qajë dhe të më njoftojë se përfundimi i prindit të vet nuk kishte qenë aspak i mirë, por i tmerrshëm.

                “Si vdiq prindi yt?”, i thashë.

                “Prindi im asnjëherë nuk ankohej nga ndonjë sëmundje, ishte i fuqishëm dhe me shëndet të mirë”, ia ktheu ai. “Sot ishim duke drekuar së bashku dhe, papritmas, prindi ndjeu dhembje barku, gjë që e detyroi ta villte ushqimin e tij. Shpejtoi deri në tualet, e uli kokën dhe filloi të vjellë derisa u lodh nga qëndrimi i gjatë, mirëpo, edhe pse volli një kohë të gjatë, përsëri kishte nevojë për të vjellë. U ul në gjunjë para tualetit, e vendosi fytyrën në të dhe vazhdoi ta nxjerrë ushqimi nga goja, derisa nga goja e tij doli një zë shumë i fortë dhe u zhduk papritmas. Më pas, u futëm në banjë, fytyra e tij qe futur në tualet, kurse ai kishte ndërruar jetë!”

                Unë i thashë:

                “Allahu na ruajttë! I doli shpirti në tualet?! Vëllai im, më trego se çfarë ka vepruar prindi yt!”

                “Nuk ka falur namaz asnjëherë”, më tha.

                “Unë nuk pakësoj asgjë nga çështja e namazit dhe vlera e tij, mirëpo shko pyete nënën tënde se çfarë ka vepruar prindi yt. Për hir të Allahut, shko pyete nënën tënde”, i thashë unë.

                Nxënësi u kthye në shtëpi dhe e kishte pyetur nënën e vet, kurse ajo duke qarë i kishte thënë birit të vet:

                “O biri im, babai yt punonte me kamatë.”

                Kur m’i tregoi fjalët e nënës së vet, i thashë:

                “Ah, po, kjo është! Hante haram. I hante të hollat e njerëzve me të kotë, prandaj ka përjetuar një përfundim të tillë.”

                Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që marrin fajde, do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet, sepse ata thonë se tregtia është njëlloj si kamataria. Porse Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatarinë e ka ndaluar.”[1]

    [1]              (El-Bekare: 275)

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • LUTJA NË QABE U BË SHKAK SHËRIMI

    LUTJA NË QABE U BË SHKAK SHËRIMI

    Dr. Muhamed Hasani rrëfen dhe thotë:

    Para se të filloja ligjëratën time në Mekë, m’u afrua një njeri dhe më tha:

                “Shejh Muhamed Hasan, të betohem në Allahun, mos e thuaj asnjë fjalë para se të më dëgjosh!”

                “Urdhëro, o prindi im! Ulu afër meje!”, i thashë.

                Ai u ul pranë meje. Në pamje dukej një njeri i thjeshtë, tregtar. Allahu ia kishte hapur dyert e furnizimit dhe tregtisë, mirëpo ankohej nga një sëmundje e rëndë: ishte paralizuar plotësisht.

    “Kam udhëtuar në Londër për t’u kuruar, mirëpo nuk ishte caktimi i Allahut që të shërohem atje. Po ashtu, kam qenë edhe në Francë dhe në Amerikë, por nuk u shërova dot”, më thoshte ai. “Një ditë prej ditësh, i ulur para televizorit e pashë transmetimin e drejtpërdrejtë të namazit nga Qabeja dhe fillova të qaj. Pastaj, u thashë fëmijëve të mi që dëshiroj të udhëtoj te Sunduesi i shtëpisë së Tij. Ndërsa ato se kishin të qartë se te sunduesi i cilës shtëpi doja të udhëtoja. Unë u thashë që doja të udhëtoj te Mbreti i Sundimtarëve dhe se isha i bindur që Ai nuk do të më kthente të zhgënjyer. U thashë që doja të shkoj në Umre, kurse ato më thanë se nuk mund të lëviz. Prandaj, u thashë që ta marrin me qira një aeroplan privat.” Vazhdon njeriu të rrëfejë. “Kryesorja, ma plotësuan dëshirën dhe erdha në Meke. Kur erdha këtu, u thashë që të ma afrojnë karrigen time afër Qabesë dhe të më lënë të vetëm. Pastaj, fillova ta lus Allahun me disa fjalë, që i përsërita një orë të plotë, pa shtuar diçka tjetër. Gjatë lutjes time thosha: “O Zoti im, unë nuk do të dal nga Shtëpia Jote vetëm se duke ecur apo duke më përcjellë për në varr!” Kështu, bërtita një orë të plotë. Në fund, u lodha dhe më zuri gjumi. Duke fjetur, më erdhi një zë që më thoshte: “Ngrihu dhe ec! Ngrihu dhe ec! Ngrihu dhe ec!” dhe më doli gjumi. Pasi u zgjova, përsëri më erdhi një zë që thoshte të ngrihem. Kështu, unë u ngrita dhe eca. Pasi i bëra disa hapa, m’u kujtua se unë isha i paralizuar dhe, nga gëzimi i madh, bërtita e thashë: “O Zot, o Sundues, pasha Ty, nuk u zhgënjeva nga mbështetja në Ty dhe që çështjen time ta lash të ma zgjidhësh vetëm Ti.””

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • PËRULU PARA ALLAHUT SI JETIM

    PËRULU PARA ALLAHUT SI JETIM

    Atë thyerje që e ndien në brendësinë tënde, ka nevojë për mendim të mirë për Allahun.

    Ka nevojë për dua e të biesh në sexhde dhe t’i afrohesh edhe më tepër Allahut.

    Ai është i Vetmi, që përkujdeset për ty dhe i Vetmi që të do.

    Dhe i Vetmi, i cili nuk të braktisë.

    Përmende Allahun shumë kur je i mërzitur, Ai është që do të të ndihmojë.

    Mos e lësho derën e Tij asnjëherë dhe përulu para Tij, sikurse jetimi, i cili nuk e ka askënd tjetër.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • PIKËNISJA E LARGIMIT NGA STACIONI I PIKËLLIMIT

    PIKËNISJA E LARGIMIT NGA STACIONI I PIKËLLIMIT

    Kur e gjen veten të pikëlluar dhe lotët e nxehtë të rrjedhin si lumë nëpër faqe rikujto:

    Ka të tjerë që janë në pikëllim më të thellë se ti.

    Se çdo problem e ka edhe zgjidhjen e vet, prandaj kërko nga Allahu që të të udhëzojë deri tek ajo.

    Se Allahu nuk të ka privuar nga diçka, përveçse për të të dhënë diçka më të mirë.

    Se jeta nuk ndërpritet asnjëherë për shkak të një situate që e kalon apo me një dhembjen që e përjeton.

    Se pikëllimi është i porsalinduri i vetëm, që me kalimin e kohës zvogëlohet e ti mos e rrit duke u koncentruar në të.

    Se të suksesshmit janë ata që sfidat dhe situatat e jetës i shohin thjesht si probleme të përditshme jetësore dhe gjë normale.

    Pikënisja e largimit nga stacioni i pikëllimit: Pyete veten se çfarë do tani? Dhe mendo rreth asaj që e do e të bën të lumtur dhe koncentrohu në të.

    Dhe lexoje lutjen e largimit të brengave dhe mërzisë me përulje dhe ki mendim të mirë për Allahun: “O Allah! Unë kërkoj të më mbrosh nga brenga dhe mërzia, nga pafuqia dhe dembelizmi, nga frika dhe koprracia, nga zhytja në borxhe dhe nëpërkëmbja e njerëzve.” [1]

    [1] Buhariu (6369)

    Nga arabisht: Irfan JAHIU

  • LLOJET E ZEMRAVE SIPAS KURANIT

    LLOJET E ZEMRAVE SIPAS KURANIT

    1. Zemra e shëndoshë: Kjo zemër është e sinqertë me Allahun dhe është e pastër nga politeizmi dhe femohimi, hipokrizia dhe e fëlliqura: “Përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Esh-Shuara: 89)

    1. Zemra e kthyer: Kjo zemër gjithmonë kthehet me pendim tek Allahu dhe i nënshtrohet urdhrave të Tij: “…e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu).” (Kaf: 33)
    2. Zemra e bindur: Kjo zemër është e bindur, e qetë dhe e rehatshme: “…dhe zemrat e tyre të binden e të qetësohen me të…” (El-Haxh: 54)
    3. Zemra e frikësuar: Kjo zemër ia ka frikën Allahut se veprat nuk do t’ia pranojë dhe ka frikë se do të ndëshkohet në zjarr: “Dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” (El-Mu’minun: 60)
    4. Zemra e përkushtuar: Kjo zemër është që i madhëron shenjat e fesë së Allahut: “Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (El-Haxh: 32)
    5. Zemra e udhëzuar: Kjo zemër është e kënaqur me caktimet e Allahut dhe plotësisht iu nënshtrohet urdhëresave: “…Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij…” (Et-Tegabun: 11)
    6. Zemra e qetësuar: Kjo zemër qetësohet me njësimin e Allahut dhe të përmendurit e Tij: “…zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen…” (Er-Rad: 28)
    7. Zemra e gjallë: Kjo zemër e kupton dhe e logjikon atë që e dëgjon nga rrëfimet që Allahu i ka përmendur për popujt zullumqarë dhe mëkatarë: “Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.” (Kaf: 37)
    8. 9. Zemra e sëmurë: Kjo zemër është goditur me sëmundje si dyshimi apo hipokrizia dhe në të ka fëlliqësirë dhe e sëmurë nga epshi i ndaluar: “…që të mos ju dëshirojë ai që ka zemër epshore…” (El-Ahzab: 32)
    9. Zemra e verbër: Kjo zemër nuk sheh dhe nuk e kupton të vërtetën: “…Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.” (El-Haxh: 46)
    10. Zemra e hutuar: Kjo zemër është e shkujdesur ndaj Kuranit, e zënë me gjëra të kota të dynjasë dhe me epshe e dëfrime: “Zemrat e tyre janë të hutuara…” (El-Enbija: 3)
    11. Zemra gjynahqare: Kjo zemër është që e fsheh dëshminë e së vërtetës: “…Mos e fshihni dëshminë, se kush e fsheh atë, zemra e tij është gjynahqare…” (El-Bekare: 283)
    12. Zemra mendjemadhe: Kjo zemër është mendjemadhe, nuk e njëson Allahun dhe nuk e adhuron, dhunuese me shumë gjynahe dhe armiqësi: “…Kështu, Allahu ia vulos zemrën çdo mendjemadhi e dhunuesi.” (Gafir: 35)
    13. Zemra e vrazhdë: Kjo zemër është që nga ajo është larguar butësia dhe mëshira: “…Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje…” (Ali Imran: 159)
    14. Zemra e vulosur: Kjo zemër është ajo që nuk e dëgjon udhëzimin dhe as nuk e kupton: “…duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën…” (El-Xhathije: 23)
    15. Zemra e ashpër: Kjo zemër nuk zbutet me iman dhe nuk ndikon fare këshilla dhe e refuzon përmendjen e Allahut: “…dhe ua bëmë zemrat të ashpra…” (El-Maide: 13)
    16. Zemra mospërfillëse: Kjo zemër është mospërfillëse në përmendjen e Allahut dhe në të ka ndikuar epshi, që ta largojë nga adhurimi i Allahut: “…Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë…” (El-Kehf: 28)
    17. Zemra e mbyllur: Kjo zemër është ajo që në të nuk depërton fjala e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Ata thonë: “Zemrat tona janë të vulosura…” (El-Bekare: 88)
    18. Zemra që priret nga e pavërteta: Kjo zemër është ajo që largohet nga e vërteta dhe priret nga e pavërteta: “…zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta…” (Ali Imran: 7)
    19. Zemra dyshuese: Kjo zemër është ajo që dyshon në gjëra: “…dhe që zemrat e tyre dyshojnë…” (Et-Teube: 45)

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • TETË ÇËSHTJET

    TETË ÇËSHTJET

    Një dijetar e pyet nxënësin e vet:

    – Sa kohë ka që më shoqëron?

    Ai iu përgjigj:

    – Tridhjetë e tre vjet.

    – Çfarë mësove nga unë gjatë kësaj periudhe?

    – I mësova tetë çështje, – tha nxënësi.

    – Më shkoi jeta me ty dhe ti nuk mësove gjë tjetër, pos tetë çështje! – u habit dijetari.

    – Nuk kam mësuar më shumë se ato dhe nuk dua të gënjej, – tha i sinqertë nxënësi.

    – Mirë, m’i trego ato që i ke mësuar!

    Nxënësi filloi t’i numëronte çështjet e mësuara:

    -E para: I shikova krijesat dhe vërejta se çdo njeri e do dikë, por kur shkon në varr, e lë i dashuri të dashurin e vet. Për këtë arsye, veprat e mira i bëra gjërat më të dashura, që kur të hy në varr, të hyjnë edhe ato me mua;

    E dyta: E meditova fjalën e Allahut “Kurse ai që i është frikësuar Madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë strehë Xhenetin”[1] dhe e përgatita veten për ta mbrojtur nga epshet, derisa u përqendrova në adhurime të Allahut;

    E treta: I shikova krijesat dhe e vërejta se çdonjëri që posedon diçka me vlerë, e ruan atë që mos ta humbë dhe pastaj shikova në fjalët e Allahut “Gjithçka që keni ju është kalimtare, ndërsa ajo që ndodhet tek Allahu është e përhershme”[2] dhe çdo herë kur më bie në dorë diçka me vlerë, ia drejtoj Allahut që të ma ruajë tek Ai;

    E katërta: I shikova krijesat dhe vërejta se ata lavdërohen ndërmjet veti për pasuri, prejardhje apo pozitë dhe pastaj shikova fjalën e Allahut “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij”[3] dhe fillova të punoj që të më shtohet frika ndaj Allahut dhe të bëhem tek Allahu i ndershëm;

    E pesta: I shikova krijesat se si e fyejnë dhe mallkojnë njëri-tjetrin, dhe se burimi i gjithë këtyre ishte zilia dhe pastaj shikova në fjalën e Allahut “Jemi Ne ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetës në këtë botë”[4] dhe e largova zilinë, i braktisa njerëzit dhe mësova se mjetet e jetesës janë të ndara nga Allahu;

    E gjashta: I shikova krijesat se e armiqësojnë dhe urrejnë njëri-tjetrin, dhe e shikova fjalën e Allahut “Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj vështrojeni si armik!”[5] dhe e braktisa armiqësinë e njerëzve dhe u mora me armiqësinë e shejtanit;

    E shtata: I shikova krijesat dhe e vërejta se çdonjëri nga ato e flijon veten për risk, madje edhe hynë në haram dhe e shikova fjalën e Allahut “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij”[6] dhe e kuptova se unë jam një nga këto gjallesa dhe u mora me atë që i takon Allahut dhe e braktisa atë që është e imja tek Allahu; dhe

    E teta: I shikova krijesat dhe e vërejta se çdo krijesë i mbështetet krijesës, disa për pasuri, disa për pozitë e disa për shëndet dhe e shikova fjalën e Allahut “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai”[7] dhe e braktisa mbështetjen te njerëzit dhe u mbështeta vetëm se në Allahun.

    [1]              (En-Naziat: 40-41)

    [2]              (En-Nahl: 96)

    [3]              (El-Huxhurat: 13)

    [4]              (Ez-Zuhruf: 13)

    [5]              (Fatir: 6)

    [6]              (Hud: 6)

    [7]              (Et-Talak: 3)

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • MOS U MËRZIT, ALLAHU ËSHTË ME TY

    MOS U MËRZIT, ALLAHU ËSHTË ME TY

    1. Ilaçi më i mirë për qetësimin e dhembjeve: “Prandaj, përgëzoji të duruarit.”[1]
    2. Nuk e qetëson zemrën e lodhur asgjë më shumë se dëgjimi i fjalëve të Allahut: “Ti nuk e di se pas kësaj Allahu mund të sjellë ndonjë rrethanë tjetër.”[2]
    3. Nëse të ngushtohen çështjet, dije se lehtësimi është shumë afër!
    4. Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Kujt i janë shtuar brengat dhe mërzitë, le ta shtojë fjalën: ‘La haule ue la kuv-vete il-la bil-lah.’ (Nuk ka ndryshim e as forcë, pa ndihmën e Allahut).”
    5. Gjatë kohës kur ndien dhembje, ji i bindur në mëshirën e Allahut.
    6. Nëpërmjet fatkeqësive dhe belave, njerëzve të mirë u ngriten pozitat dhe u shtohen shpërblimet.
    7. Dyert e qiejve janë të gjera dhe çelësi i tyre është duaja!
    8. Përmendja e Allahut, e kënaq të Gjithëmëshirshmin, njeriun e bën të lumtur, i largon brengat dhe e mbush Peshoren.
    9. Largimi nga Allahu është vdekje për zemrën!
    10. Mos u mërzit për dynjanë dhe çfarë ka në të, të gjithë ne jemi mysafirë në tokën e saj!
    11. Besimtari është si gjethe e gjelbër, nuk bie, sado që ta godasin stuhitë e forta!
    12. Nëse namazi nuk është i pari nga prioritetet, atëherë sa jetë e keqe që është ajo!
    13. Nëse largohesh nga namazi, dije se rehatia dhe bereqeti, vetëm se janë larguar nga jeta jote!
    14. Zemrat, që janë larg Allahut, nuk rehatohen.
    15. Kur ballafaqohesh me ndonjë bela, rikujtoje se ajo është e përkohshme, se ajo është përcaktim i Allahut dhe se ajo do të të dhurojë shpërblime, nëse bën sabër!
    16. Gjërat e bukura gjithmonë fshihen pas vështirësive, me qëllim që Allahu ta befasojë durimin tonë me dhuntitë e Tij të shumta.
    17. Kush e ruan gjuhën e vet për hir të Allahut në dynja, Allahu do t’ia mundësojë në prag të vdekjes, që gjuha e tij ta shqiptojë shehadetin (dëshminë). (Ibën El-Xheuzij)
    18. Vetmia të vjen, kur harron se Allahu është me ty!
    19. Shqetësimi vret më shumë njerëz sesa puna, kjo se njerëzit më shumë shqetësohen sesa që punojnë.
    20. Po të mos ishte përmendja e Allahut, do të vdisnin shpirtrat tanë nga brengat! “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun.” [3]
    21. Kur më pyesin se si e kam gjendjen, u përgjigjem me ELHAMDULILAH (Falënderimi i takon Allahut) dhe mendojnë se unë jam në majën e lumturisë sime. Ata harruan se ne e falënderojmë Allahun në rehati dhe në vështirësi!
    22. Brengat e tepërta nuk janë arsye e logjikshme që ta vrenjtësh fytyrën para njerëzve! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte me brengat më të rënda në mesin e njerëzve, mirëpo ishte ai, që më së shumti buzëqeshte!
    23. Po të kishte qenë dynjaja e lehtë, nuk do të ishte sabri një nga dyert e Xhenetit!
    24. Allahu nuk e braktis një rob që qan, që ankohet dhe e ul kokën e tij, e pastaj lutet!
    25. A ka më mirë se për një rob të Allahut, të thotë: “O Zoti im, unë shumë gabova, gjynahe të bëra, të liga veprova dhe të mëkatova: O Zot më fal!”

    Dhe Allahu të thotë: “O robi Im, Unë ta fala, të mëshirova, gjynahet t’i mbulova dhe nga mëkatet të pastrova!”

    1. Nëse të ngulfati tymi i dhembjes, hape dritaren e lutjes që ta rifreskosh ajrin me fjalën: O Zot!
    2. Çfarë vlere ka jeta, nëse nuk ecim rrugës, e cila na drejton për në Xhenet?!
    3. Me të lidhurit tënd me Allahun, të mirën e sheh si të mirë dhe të keqen si të keqe!
    4. Çfarë mbetet prej fatkeqësive, kur e rikujton se Allahu është me ty?!
    5. Nëse fiken të gjitha dritat, dije se ekziston një llambë që nuk fiket deri në vdekje, e ajo është llamba e pendimit!
    6. Nëpër shkolla, në fillim marrim mësime e pastaj kalojmë nëpër provime, kurse në jetë, fillimisht kalojmë nëpër provime e pastaj marrim mësime.
    7. A dëshiron ta ndryshosh jetën tënde dhe nuk e di se prej nga të fillosh, fillo nga këtu (namazi)!
    8. Mos të të shqetësojë mendimi për njerëzit se a të duan apo jo. Zemrat e njerëzve ndryshojnë, sot të duan dhe nesër të urrejnë. Prandaj shqetësimi yt le të jetë dashuria e Allahut, sepse kur Allahu të do, i bën zemrat e njerëzve të të duan.
    9. Nëse të ngushtohet gjoksi nga fjalët e njerëzve, përsiate fjalën e Allahut: “Ne e dimë mirë, që ty të ngushtohet zemra nga fjalët e tyre, andaj, lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar dhe bëhu prej atyre që i përulen Atij duke u falur!”[4]
    10. “Pas vështirësisë, Ai (Allahu) sjell lehtësimin[5]; nuk do të mbetesh në të njëjtën gjendje, ajo do të ndryshojë, Allahu pikëllimin do ta zëvendësojë me gëzim dhe vështirësitë e tua me lehtësim. (Dr. Neval el-Id)
    11. Nëse mendon se askush nuk të dëgjon, mjafton fakti se Allahu e di çfarë ke në brendësinë tënde.
    12. Lutja është shpresë që nuk njeh fund!
    13. Allahu robit nuk ia mbyll një derë me urtësinë e Tij, vetëm se ia hap dy dyer të tjera me mëshirën e Tij!
    14. Zoti im, mos më privo nga ai person, që gjithmonë kam shpresuar të jetë afër meje!
    15. Zot, largoji brengat, mërzitë, sëmundjet dhe sihrin nga robërit e Tu dhe furnizoji me lumturi në të dyja botët!
    16. O Zot! Kërkoj nga Ti, me emrat e Tu të bukur, të na lirosh nga brengat, ta largosh shqetësimin tonë dhe të na e mundësosh të dëgjojmë lajme që na gëzojnë!
    17. Zoti im! Bëje fillimin e ditës sime mirësi, mesin e saj sukses dhe fundin e saj shpëtim. Kërkoj mbrojtje te Ti, nga dita që fillimi i saj është frikë, mesi i saj demoralizim dhe fundi i saj dhembje!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Fragment nga libri:

    NGA DHEMBJA DREJT LUMTURISË

    (Thënie të mençura nga jeta dhe përvoja)

    [1] (El-Bekare: 155)

    [2] (Et-Talak: 1)

    [3] (El-Ahzab: 41)

    [4] (El-Hixhr: 97-98)

    [5] (Et-Talak: 7)

  • GRUAJA ËSHTË SI KËPUCA!!

    GRUAJA ËSHTË SI KËPUCA!!

    Një ditë nga ditët një dijetar ishte ulur me një grup njerëzish. Në mexhlis u paraqitëm shumë tema, e ndër to, disa nga të pranishmit e paraqitën edhe temën e martesës dhe grave.

    Njëri nga ta tha:

    Gruaja është si këpuca… burri mund ta ndërrojë dhe ta zëvendësojë, derisa ta gjejë numrin e për­shtat­shëm për të!!

    Të pranishmit të habitur nga fjalët e tij, shikuan kah dijetari dhe i thanë: Cili është mendimi i juaj për këto fjalë?!

    U përgjigj: Atë që e tha vëllai ynë është e vërtetë plotësisht! Gruaja i përngjan këpucës në sytë e atij që veten e sheh si këmbë, dhe ajo është kurorë në sytë e atij që e sheh veten si kokë!

    Mos e qortoni atë që flet, po shikoni se si e sheh ai vetveten fillimisht!!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • RESPEKTI I NËNËS ME SËMUNDJE MENTALE

    RESPEKTI I NËNËS ME SËMUNDJE MENTALE

    Ky është një tregim i vërtet dhe shumë prekës të cilin na e rrëfen një mjeke muslimane e cila thotë:

    Një ditë në ordinancën time hyri një grua e cila ishte në të gjashtëdhjetat e shoqëruar nga i biri i saj i cili ishte në të tridhjetat. Ajo që ma tërhoqi vërejtjen ishte kujdesi i tij i tepërt ndaj saj, e kapte për dore ia rregullonte mbulesën dhe ia afronte ushqimin dhe pi­jen. Pas pyetjes sime për problemin e saj dhe kërkimit tim për ta kontrolluar e pyeta rreth gjendjes së saj mentale, për arsye se e vërejtja se sjellja e saj nuk ishte normale dhe gjithashtu nuk i përgjigjej pyetjeve të mia.

    Djali i saj mu përgjigj dhe më tha: Nëna ime ka probleme mentale nga lindja e saj.

    Fjalët e tij më prekën tepër dhe e pyeta: Po kush kujdeset për të?

    Më tha: Unë.

    I thash: Pasha Allahun, begati e madhe. Po kush kujdeset për pastërtinë e rrobave të saj dhe trupit të saj.

    Më tha: Unë e përcjelli deri në banjo, unë ia sjelli rrobat dhe e pres deri sa t’i kryejë nevojat e saj. Unë i futi rrobat e saj të palara në makinën e larjes, unë i shtri ato të thahen dhe unë ia blej rrobat që i nevojiten!

    I thash po pse nuk ia sjell një shërbëtore?

    Mu përgjigj: Nëna ima është e mjerë, i shëmbëllen një fëmije, asnjëherë nuk ankohet dhe frikohem se shërbëtorja do ta dëmtojë.

    U mahnita nga fjalët e tij dhe nga respekti i tij ndaj saj dhe i thash: Po ti, a je i martuar?

    Mu përgjigj: Unë jam i martuar dhe kam fëmijë, elhamdulilah.

    Atëherë gruaja jote kujdeset për nënën tënde, i thash.

    Më tha: Kujdesi i saj nuk është i mangët. Ajo e përgatit ushqimin dhe ia servon nënës sime. Gruas sime ia kam sjellë një shërbëtore e cila i ndihmon mirëpo prapëseprapë unë kujdesem që të ha me nënën time për arsye se ajo e ka sëmundjen e sheqerit dhe dëshiroj të jem i sigurt se nuk do të hajë ushqim që ia dëmton shëndetin.

    Kjo ma shtoi edhe më tepër mahnitjen dhe më erdhi të qaj dhe me shumë vështirësi e mbajta veten që mos të dalin lotët nga unë. Më shkuan sytë kah thonjtë e saj dhe e vërejta se i kishte të shkurtër dhe të pastër dhe i thash: Po thonjtë e saj?

    Mu përgjigj: Mjeke, unë ia shkurtoj ato. Ajo është e mjerë. Në atë moment shikoi nëna kah biri i saj dhe i tha: Kur do të më blesh mua patate të fërguara? Tani do të shkoj dhe do t’i blej në shitore, i tha. Nëna kur i dëgjoi fjalët e të birit fluturoi nga gëzimi dhe tha: Tani… Tani!. I biri iu kthye dhe tha: Pasha Allahun, unë gëzohem për gëzimin e saj më shumë se sa për gë­zimin e fëmijëve të mi të vegjël.

    U bëra sikurse shkruaj në dokumentacionin e saj që të mos vërehet se shumë u ndikova nga këto fjalë. A nuk ka fëmijë tjetër, e pyeta?

    Tha. Unë jam fëmija i vetëm i saj për arsye se prindi im e ndau vetëm pas një muaji martese.

    Mirë, ty kush të rriti… prindi, e pyeta?

    Jo, u përgjigj. Gjyshja ime është kujdesur për mua dhe për nënën time derisa Allahu ia mori jetën dhe unë atëherë isha vetëm se dhjetë vjeçar.

    E pyeta se a është kujdesur nëna jote kur ke qenë i sëmurë apo a të rikujtohet se ajo është kujdesur për ty ndonjëherë? Apo është gëzuar me gëzimin tënd dhe është pikëlluar me pikëllimin tënd?

    Mu përgjigj: Mjeke, nëna ime është e mjerë nga mosha ime dhjetë vjeçare. Unë kujdesem për të dhe i ndihmoj në të gjitha nevojat e saj.

    Nuk munda më shumë të duroj, ia përshkrova recetat dhe ia qartësova barnat.

    I biri e kapi nënën e vet për dore dhe i tha: Eja nëna ime tani të shkojmë në shitore. A nuk shkojmë në Meke, i tha nëna?

    U çudita! Ajo a do të shkojë në Meke, e pyeta? Do të fluturojmë me aeroplan, mu përgjigj nëna e tij. A do ta dërgosh në Umre, e pyeta?

    Mu përgjigj: Po si jo.

    A nuk e ke vështirësi ta kryesh Umren dhe ta lodhsh veten, e pyeta?

    Kry­erja e Umres me të dhe gëzimi i saj se do të udhëtojmë së bashku ka shpërblim më të madh tek Allahu se sa me bë Umren vet.

    U larguan nga ordinanca, e mbylla derën dhe i thash motrës medicinale se dëshiroj të pushoj dhe nuk dua të më pengojë askush. Fillova të qaj nga gjithë zemra ime dhe të them në vetvete: Ajo nuk ka qenë asnjëherë nëna e tij… ajo vetëm se e barti dhe e lindi por nuk e edukoi, as nuk e prishi gjumin natën asnjëherë për të, as nuk e mësoi, as nuk ndjeu dhembje për dhembjet e tij, as nuk qau për të qarët e tij, e as nuk mbeti pa gjumë nga frika për të, dhe as… dhe as! Megjithatë… i gjithë ai respekt!

    A do të veprojmë ne me nënat e tona të shëndosha ashtu si veproi ky njeri me nënën e vet të sëmurë? Nëna ime e dashur, e lus Allahun që të mos ma ndalojë dhe të më largojë nga respekti yt.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • SI KUROHEN TË METAT DHE MANGËSITË?

    SI KUROHEN TË METAT DHE MANGËSITË?

    Rrëfehet për një burrë se ankohej prej të metave të shumta që i kishte. Ky burrë rrëfehet se tentoi që ato t’i përmirësojë, mirëpo nuk e arriti një gjë të tillë. Ndërkohë shkoi te një dijetar i njohur për devotshmërinë dhe besimin e tij dhe iu ankua për ato të meta dhe kërkoi mendimin e tij se si t’i kurojë ato.

    Dijetari ia dha një propozim interesant, duke kërkuar nga ai që ta kurojë vetëm njërën nga to – gënjeshtrën. E porositi të jetë i sinqertë në të gjitha çështjet e tij.

    Burri u habit dhe në vete tha se çfarë lidhje ka sinqeriteti me të metat e tjera, mirëpo prapë e respektoi urdhrin e dijetarit dhe shprehu vullnetin e plotë që të veprojë ashtu.

    Kaluan disa ditë dhe një ditë prej ditëve, njeriu u sprovua me një ves nga veset e tij – alkoolin. Shprehu vullnetin të pijë dhe e afroi te vetja, e mbushi gotën dhe kur e ngriti dhe e afroi te goja, tha në vete: Çfarë do t’i them dijetarit, nëse më pyet se a kam përdorur alkool? A ta gënjej? Jo, më nuk do ta pi asnjëherë!

    Një ditë tjetër deshi të bëjë një mëkat tjetër dhe e pyeti veten: Çfarë do t’i them unë dijetarit nëse më pyet? A ta bëj atë mëkat apo ta gënjej? Jo, më nuk e bëj.

    Dhe kështu, çdoherë kur donte të bënte ndonjë mëkat, u ndalte dhe e pyeste veten dhe në fund e braktiste që mos ta gënjejë dijetarin.

    Me kalimin e kohës ky njeri i braktisi të metat dhe mangësitë e tij si meritë e të kapurit të tij për sinqeritetin dhe moralin e mirë.

    Pra, sinqeriteti është ajo që neve na mungon dhe mungesa e saj të metat po na i shton dhe ato të meta në jetën tonë po reflektojnë dhe me to njerëzit po i dëmtojmë.

    Të kapemi fort për sinqeritetin e për moralin e mirë dhe të tentojmë që sa më shumë të merremi me veten dhe të metat tona, se sa me të tjerët dhe të metat e tyre, e kështu që Allahu të na dërgojë sukses në kurimin e tyre, për shkak sinqeritetit tonë se duam të jemi sa më të mirë për ta kënaqur Allahun.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline