Category: Ilaçe për zemrën / Rukja

  • ISLAMI ËSHTË VEPËR, E JO VETËM FJALË

    ISLAMI ËSHTË VEPËR, E JO VETËM FJALË

    Imami dha selam dhe e përfundoi namazin e akshamit. Ishte imam në njërën nga xhamitë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Menjëherë pas namazit iu afrua një njeri, trupmadh e zeshkan dhe mori prej tij leje që ta marrë mikrofonin në dorë dhe iu drejtua xhematit. Ishte hera e parë që xhemati e shihnin këtë njeri në xhaminë e tyre.

    Ky njeri u tha:

    – Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue bereketuhu (Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju), -dhe filloi ta lexojë suren Fatiha, ajet pas ajeti, derisa e përfundoi me një theks të dobët dhe dëgjuesi po mos ta dinte suren Fatiha, s’do ta kuptonte fare se çfarë lexon, asnjë shkronjë.

    Pasi që e përfundoi leximin e tij, e mbylli mikrofonin dhe shkoi në fund të xhamisë, i fali dy rekatë vullnetare dhe pastaj doli. Imami e përcillte duke u falur dhe pasi që e përfundoi namazin, i shkoi pas dhe në mendjen e tij i kishte mijëra pyetje se, kush është ky djalosh dhe çfarë e nxiti ta veprojë atë që e veproi, as nuk kishte zë të bukur, e as shqiptim të pastër, e as lexim të drejtë.

    Kryesorja ishte se imami arriti ta ndalë dhe ia parashtroi pyetjet, kurse ajo që e dëgjoi nga ky djalosh ishte befasi! Djaloshi i tha:

    – Unë jam mysliman i ri, e kam pranuar Islamin para dy ditëve dhe e lexova një libër rreth Islamit dhe përcjelljen e tij deri te njerëzit dhe e gjeta një hadith të mrekullueshëm që më nxiti ta bëj atë që e bëra sonte në xhami.

    – E cili është ai hadith? – e pyeti imami.

    U përgjigj:

    – Hadithi: “Përcillni nga unë qoftë edhe një ajet.”[1] Unë i di përmendësh shtatë ajetet e sures Fatiha dhe ato i përcolla sonte në xhami.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1]              Buhariu, 3274

  • GJYNAHET MA LODHËN SHPIRTIN

    GJYNAHET MA LODHËN SHPIRTIN

    Një vajzë thotë:

    Mu mërzit puna, vetja, familja dhe rrethi. U largova nga të gjithë. Arrita që dynjanë ta urrej deri në atë gradë, saqë të lutem për vdekjen time. A ka diçka më të madhe se sa njeriu t’i japë përparësi vdekjes para jetës?!

    Adhurimet filluan të më duken të rënda. Personaliteti im filloi të ndryshohet për njëqind shkallë. Isha një vajzë e dashur, kurse tash u shndërrova në një njeri me gjuhë të ligë, me sjellje të keqe. Kështu vazhdova një vjet e gjysmë, derisa filloi të më dobësohet shëndeti dhe të humbë në peshë, edhe atë për 15 kg.

    Nuk mundesha të fle asnjë natë pa qarë. Lotët sikurse u bënë shtylla kryesore e gjumit tim.

    Një ditë nga ditët, u futa në një forum dhe e lexova një artikull për istigfarin (kërkimfaljen) dhe argumentet që kanë ardhur rreth tij. Vendosa të bëj sa më tepër istigfar. Fillova mirë, mirëpo më vonë fillova të harroj. E dija se kjo është lojë e shejtanit dhe se ai do të më largojë nga istigfari. Isha e vendosur fort ta ndryshoj jetën time. Fillova të koncentrohem fort dhe në çdo vend ku shkoja dhe në çdo gjendje që isha, bëja istigfar.

    Pas një jave, buzëqeshja u kthye në fytyrën time. Të gjithë u çuditën me mua.

    Ajo vajzë e cila ishte e pikëlluar dhe e keqe në sjellje, filloi të ndryshojë. Buzëqeshja iu kthye në fytyrë, sjellja iu ndryshua dhe shpirti iu qetësua.

    Po, pasha Allahun! Fillova të jem e kënaqur me jetën time. Jo se i realizova ëndrrat, por Allahu më furnizoi me zgjerimin e gjoksit tim. Kjo është begatia më e madhe, të cilën nuk e ndjen vetëm se ai që e ka humbur! Kështu vazhdova tre muaj rishtazi, derisa Allahu më furnizoi me një punë që nuk e ëndërroja asnjëherë më parë. I përmirësova raportet me Allahun, u bëra më e afërt me Të dhe çdo herë kur ndjej brengë, e lexoj suren El-Bekare. Ajo ma largon brengën dhe më qetëson në shpirt!

    Istigfari jep fryte mahnitëse! Mos e lini pas dore! Ai të qetëson në shpirt, të jep rehati, të sjell furnizim, t’i largon brengat dhe pikëllimet, ta kthen buzëqeshjen, ta kënaq zemrën, të mundëson që jetën ta shohësh me një sy tjetër, që rrallë të tjerët e shohin ashtu! Ai të afron tek Allahu dhe ta mundëson të jesh i kënaqur me caktimin e Tij. Gjynahet t’i pastron, mëkatet t’i lanë, gradat t’i rritë dhe në mesin e krijesave të dallon.

    Allahu i Madhëruar thotë: “E u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!”[1]

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1]              (Nuh: 10-12)

  • KI FRIKË ALLAHUN!

    KI FRIKË ALLAHUN!

    Disa njerëzve kur u thua: “Kini frikë Allahun!” Ta kthejnë: “Ti ki frikë Allahun!”

    Kjo sikurse të jetë një ofendim për ta dhe e refuzojnë.

    Allahu i tha të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “O i Dërguar, ki frikë Allahun.”[1]

    Jezid ibën Kemit, Allahu e mëshiroftë!, përcjellë se e dëgjoi një njeri duke i thënë Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë: “Ki frikë Allahun!”Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë!, nga këto fjalë u dridh, u zverdh dhe në fund tha: “Sa janë nevojtarë njerëzit që për çdo kohë ta kenë një njeri që ua thotë këto fjalë.”

    Allahu thotë: “Atij që i frikësohet Allahut, do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.”[2]

    Ne nuk duhet dhe s’dëshirojmë të jemi sikurse ata që Allahu i përmendi dhe tha: “Kur atij i thuhet “Ki frikë Allahun!”, ai mburret dhe bën më shumë të këqija. Atij i mjafton Xhehenemi. Eh, sa vendbanim i keq është ai vend!”[3]

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, tha: “Ki frikë Allahun kudo të jesh, pas një të keqe bëje një të mirë dhe sillu me njerëzit me moral të mirë.”[4]

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1]              (El-Ahzab:1)

    [2]              (Et-Talak: 2-3)

    [3]              (El-Bekare: 206)

    [4]              Imam Ahmedi, 2135, Tirmidhiu, 1987

  • KUR SHPIRTI ËSHTË I KËNAQUR

    KUR SHPIRTI ËSHTË I KËNAQUR

    Ishte një njeri i varfër, i cili kujdesej për nënën, gruan dhe fëmijët e tij dhe njëkohësisht punonte si shërbëtor te një pasanik. Ishte i sinqertë në punën e tij dhe atë e kryente me përsosmëri. Mirëpo një ditë nga ditët mungoi në punën e tij. Kjo nuk ishte traditë tek ai. Më herët asnjëherë nuk kishte munguar.

    Padroni i tij tha në vete: “Patjetër t’ia jap një dinar më tepër që të mos mungojë më. Me siguri mungon që t’ia shtoj rrogën e tij, ngase ai e di se kam nevojë për të.”

    Me të vërtetë kur erdhi të nesërmen, ia dha rrogën dhe i shtoi në të një dinar.

    Punëtori nuk foli gjë dhe nuk e pyeti padronin e vet për rritjen e rrogës. Pas një periudhe, punëtori sërish mungoi. Padroni u zemërua shumë dhe tha: “Do t’ia pakësoj një dinar nga rroga” dhe me të vërtetë ia pakësoi. Punëtori as që foli gjë dhe as që e pyeti se pse ia zvogëloi rrogën e tij.

    Pasaniku u habit nga fakti se punëtori i tij nuk reagoi fare dhe i tha:

    – Ta rrita rrogën nuk më pyete gjë, ta zvogëlova rrogën dhe nuk fole gjë!

    Punëtori i tha:

    – Herën e parë kur mungova, Allahu më furnizoi me fëmijë. Kur më shpërbleve me një dinar, thashë në vete: “Kjo është risku i fëmijës që erdhi me të!” Kur mungova herën e dytë, më vdiq nëna. Kur më pakësove nga rroga për një dinar, thashë në vete: “Kjo ishte risku i saj dhe shkoi me të.”

    Nuk ka më mirë për një shpirt se sa të jetë i kënaqur me atë që ia dhuroi Allahu dhe të mos varet nga njeriu se a do t’ia shtojë riskun e tij apo jo!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • SHPIRTI MË NXITË DREJT GJYNAHEVE, MË KËSHILLO!

    SHPIRTI MË NXITË DREJT GJYNAHEVE, MË KËSHILLO!

    U nis një njeri drejt Ibrahim Ed’hemit, Allahu e mëshiroftë!, dhe i tha:

    – O shejh, shpirti më nxitë kah gjynahet. Më këshillo me ndonjë këshillë!

    Ibrahim Ed’hemi iu përgjigj:

    – Nëse shpirti të thërret t’i bësh gjynah Allahut, bëji gjynah, s’ka gjë, mirëpo nga unë i ke pesë kushte.

    – Po, urdhëro! – i tha njeriu.

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – Nëse dëshiron t’i bësh gjynah Allahut, fshehu në një vend ku nuk të sheh Allahu!

    -SubhanAllah! Si të fshihem nga Ai, kur nga Ai nuk mundet të fshihet asgjë.

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – SubhanAllah! A nuk të vjen turp t’i bësh mëkat Allahut, kur Ai të sheh?!

    Njeriu heshti dhe i tha:

    – Më shto nga këshillat!

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – Nëse do t’i bësh Allahut gjynah, mos i bën mbi Tokë!

    – SubhanAllah! E ku të shkoj, kur çdo gjë në kozmos është e Tij?! – ia ktheu njeriu.

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – SubhanAllah! A nuk të vjen turp t’i bësh mëkat Allahut dhe ti banon mbi Tokë?!

    – Më shto nga këshillat!

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – Nëse do t’i bësh Allahut gjynah, mos ha nga risku i Tij!

    – SubhanAllah! E si të jetoj kur të gjitha begatitë janë nga Ai?!

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – SubhanAllah! A nuk të vjen turp t’i bësh mëkat Allahut, kur Ai të ushqen, të jep të pish e ta ruan fuqinë?!

    – Më shto nga këshillat!

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – Nëse do t’i bësh Allahut gjynah dhe vijnë melekët që të të marrin dhe të të dërgojnë në Xhehenem, mos shko me ta!

    Njeriu i tha:

    – SubhanAllah! E nga të marr unë fuqi t’u kundërvihem atyre?! Ata janë të forta dhe do të më udhëheqin nga të duan.

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – Nëse i lexon mëkatet e tua në fletushka, mohoi ato se i ke bërë!

    Njeriu i tha:

    – SubhanAllah! E ku janë melekët fisnikë që i shënojnë veprat?! Ku janë melekët që përkujdesen për mua?! Ku janë dëshmitarët që do të flasin për mua?!

    Njeriu filloi të qajë, të ecë dhe t’i përsëritë fjalët: “SubhanAllah! E ku janë melekët fisnikë që i shënojnë veprat?! Ku janë melekët që përkujdesen për mua?! Ku janë dëshmitarët që do të flasin për mua?!”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU