Category: Imani

  • PËRFITIMI I SHKATHTËSIVE TE FËMIJA

    PËRFITIMI I SHKATHTËSIVE TE FËMIJA

    Prej shkathtësive shoqërore që kërkohen të mbillen dhe të zhvillohen te fëmija, përmendim:

    – Pritja dhe përcjellja e të tjerëve, bashkëndjenja me të tjerët, kuptimi i ndjenjave të tyre dhe të përgjigjurit në kërkesat e tyre, paraqitja e gëzimit me prezencën e të tjerëve, këmbimi i mendimeve me fëmijët, kontaktet pozitive me njerëzit, përdorimi i fjalëve të qarta të lehta për shprehje.

    – Falënderimi që fëmija ia bën shokut të vet, i cili ia ka bërë një të mirë atij, është shkathtësi shoqërore.

    – Kërkimi i faljes që fëmija ia bën shokut kur gabon ndaj tij, është shkathtësi shoqërore.

    – Interesimi i fëmijës për fëmijët e tjerë kur mungojnë në shkollë apo çerdhe, është shkathtësi shoqërore.

    – Përshëndetja e fëmijës që ia bën shokut të vet kur e takon, është shkathtësi shoqërore.

    – Bashkëndjenja e fëmijës me shokun e vet kur ai mërzitet ose frikësohet duke ia lehtësuar atij, ose pikëllimi i tij kur shoku pikëllohet, është shkathtësi shoqërore.

    Nga mjetet më të rëndësishme që i kultivojnë shkathtësitë shoqërore të fëmijës, theksojmë:

    – Rritja e mençurisë shoqërore te fëmija duke i ndihmuar atij me mundësinë që të lidhet me të tjerët, t’i kuptojë ndjenjat e tyre dhe t’u përgjigjet atyre nevojave.

    – Respektimi dhe aktivizimi i vetes, mbjellja e ndjenjës së krenarisë dhe vetëbesimit, edukimi i tij që t’i mbështetet vetes dhe të jetë i pavarur në kryerjen e nevojës së tij, në zgjedhjen e lojërave dhe rrobave të tij, në zgjidhjen e problemeve të tij me shokët, në angazhimin e tij të marrë pjesë në aktivitetet shtëpiake të lehta, si: përgatitja e sofrës, futjen e mbeturinave në qese etj.

    Po ashtu atij duhet t’i jepet mundësia që të marrë vendime dhe ta bartë përgjegjësinë e vendimmarrjes, dhe kohë pas kohe t’i thuhen fjalë nxitëse për vendimet e drejta që i merr.

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • FËMIJA ËSHTË AMANET

    FËMIJA ËSHTË AMANET

    Dijetarët kanë thënë: “Fëmija është amanet te prindërit. Zemra e tij e pastër është gur i çmuar, e shtrenjtë, e pafajshme, pa asnjë njollë dhe gjurmë. Ajo ka aftësi të pranojë çdo gjë dhe të anojë kah çdo gjë që anon kah ajo.

    Nëse ajo kalitet me mirësi dhe i mësohet e mira, fëmija do të rritet me atë mirësi dhe do të lumturohet në dynja dhe ahiret. Në shpërblim do të jetë pjesëmarrës edhe prindi, çdo mësues dhe edukator i tij.

    A nëse ajo kalitet me sherr dhe i mësohet e keqja, lihet anash sikurse të jetë kafshë, ai do të jetojë fatkeq dhe do të shkatërrohet. Faji dhe përgjegjësia do të bjerë mbi supet e tij dhe mbi supet e përgjegjësit dhe edukatorit të tij.

    Sado që prindi të mundohet ta ruajë fëmijën nga zjarri i dynjasë, ruajtja dhe mbrojtja e tij nga zjarri i ahiretit duhet të jetë prioriteti dhe synimi kryesor.”

    Ihja ulum ed-din, Imam Gazaliu (3/72).

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • DHIKRI ËSHTË JETË PËR ZEMRËN

    DHIKRI ËSHTË JETË PËR ZEMRËN

    Ebu Musa, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend Allahun dhe i atij që nuk e përmend Allahun është sikurse shembulli i të gjallit me të vdekurin.”

    Me një transmetim tjetër: “Shembulli i shtëpisë ku në të përmendet Allahu dhe i shtëpisë ku në të nuk përmendet Allahu është sikurse shembulli i të gjallit me të vdekurin.”

    Kur zemra është e gjallë, ajo mbushet me iman, siç Allahu thotë: “Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrënqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu. Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush.” (Ez-Zumer: 23)

    Mjerë për atë të cilin zemra është e pandjeshme kur përmendet Allahu, sepse ajo ka vdekur. Allahu thotë: “Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu!” (Ez-Zumer: 22)

    Erdhi një njeri tek el-Hasan el-Basrij, Allahu e mëshiroftë, t’i ankohej për ngurtësinë që e ndiente në zemrën e tij, e ai i tha: “Zbute zemrën me dhikër.”; dhe kjo, sepse zemrës sa më shumë që i shtohet pakujdesia, aq më shumë i shtohet ngurtësia e, kur përmendet Allahu, ajo ngurtësi shkrihet.

    Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “S’ka dyshim që zemra ndryshket sikur ndryshken bakri e argjendi dhe metalet e tjera, ndërsa përmendja e Allahut e pastron atë, dhe aq shumë e pastron derisa e bën të duket si pasqyrë e bardhë. E, nëse zemra e braktis përmendjen e Allahut, ajo ndryshket.

    Ndryshkja e zemrës vjen për dy arsye: Pakujdesia dhe gjynahu.

    Pastrimi dhe shkëlqimi i zemrës vjen me dy gjëra: Me istigfar (kërkimfalje) dhe me dhikër (përmendje të Allahut).

    Kur zemrën e njeriut e pushton pakujdesia në shumicën e kohës, pritet që ndryshkja ta mbulojë atë, ndërsa sasia e ndryshkut varet krejtësisht nga sasia e pakujdesisë.”

    Dr. Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • PËRSHKRIMI I MUHAMEDIT, ALEJHI SALATU UE SELAM, DHE EMRAT E TIJ

    PËRSHKRIMI I MUHAMEDIT, ALEJHI SALATU UE SELAM, DHE EMRAT E TIJ

    Detyrim i çdo muslimani është që ta njohë të Dërguarin e tij, alejhi salatu ue selam, ta njohë prejardhjen e tij fisnike, vendlindjen e tij fisnike, pamjen e tij të bukur, virtytet e tij bujare, etj., dhe çdo herë që shtohet dija e muslimanit mbi të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, aq më shumë i shtohet dashuria ndaj të Dërguarit të tij, alejhi salatu ue selam, e pason më shumë traditën e tij dhe i nënshtrohet sheriatit të tij. Në këtë na nxiti dhe na këshilloi Allahu i Madhëruar dhe tha: Thuaj (o Muhamed): “Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj gjykoni për shokun tuaj (Muhamedin) që nuk është i çmendur”. (Sebe: 46)

    Allahu i Madhëruar na lajmëroi se jobesimtarët po të kishin gjykuar në sinqeritetin dhe besnikërinë e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe në atë që u dallonte ai nga besnikëria para shpalljes dhe po ta kishin njohur fisnikërinë e prejardhjes dhe vendlindjes së tij, do t’i besonin atij, dhe për këtë arsye Allahu tha: “Apo ata nuk e kanë njohur të Dërguarin e tyre, prandaj e mohojnë atë?”. (El-Mu’minun: 69)

    Mjaftonte që vetëm ta shikosh një herë në fytyrën e tij fisnike dhe të bindesh në sinqeritetin e tij. Kjo edhe ndodhi me Abdullah ibën Selamin kur i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, bëri hixhret për në Medine, e shikoi në fytyrën e tij dhe i tha: “Unë dëshmoj se fytyra jote nuk është fytyrë gënjeshtari”.

    Nëse shenjat e devotshmërisë dhe dritës së besimit paraqiten në fytyrat e njerëzve të mirë dhe të devotshmëve, atëherë si është me më të mirin e të devotshmëve dhe imamin e tyre, Muhamedin, alejhi salatu ue selam. Për këtë arsye muslimani detyrohet ta njeh të Dërguarin e tij, alejhi salatu ue selam, derisa ta njeh vlerën e tij dhe të veprojë me atë që detyrohet ndaj tij, alejhi salatu ue selam.

    Imam Tahaviu, Allahu e mëshiroftë, duke e qartësuar se si duhet të jetë besimi i muslimanit në të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Muslimani duhet të besojë se Muhamedi është robi i Allahut i zgjedhur, Lajmëtari i Tij dhe i Dërguari i Tij i dalluar, vula e pejgamberëve, imam i të devotshmëve, zotëria i të dërguarve, i dashuri i Zotit të botëve, dhe çdo pretendim i pejgamberisë pas tij është e kotë dhe e pabazë dhe ai është i Dërguar i njerëzve dhe xhindeve me të vërtetën dhe udhëzim dhe me dritë dhe me shkëlqim”.

    Çdo gjë në të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, thërret në dashurinë e tij, ai është njeriu me prejardhje më të ndershme dhe po ashtu të Dërguarit, ata janë me prejardhje më të ndershme në mesin e njerëzve. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thoshte: “Allahu dalloi fisin Kinan nga bijtë e Ismailit, dalloi fisin kurejsh nga kinanët, nga kurejshët dalloi lozën e Hashimit, kurse mua më dalloi nga familja Beni Hashim”.

    Ibën Halduni, Allahu e mëshiroftë, e cek në fjalimin e tij rreth shenjave të pejgamberisë se nga shenjat e tyre po ashtu është të jenë me origjinë më fisnike në mesin e popujve të tyre.

    Herakliu kur e pyeti Ebu Sufjanin për origjinën e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe Ebu Sufjani iu përgjigj se ai në mesin tonë është me prejardhje më të ndershme. Atëherë Herakliu i tha se unë të pyeta për origjinën e tij dhe e përmendte se ai është më i miri në mesin e juaj, kështu janë të Dërguarit e Allahut, më të mirët me origjinë në mesin e popujve të tyre.

    Baballarët e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, ose kanë qenë pejgamberë si Ibrahim dhe Ismaili, alejhim selam, ose burra me pozita dhe me nder të lartë në mesin e popujve të tyre.

    Umu Hani, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Allahu i dalloi kurejshët nga të tjerët me shtatë veçori që nuk i janë dhënë askujt para tyre dhe as do t’i jepen dikujt pas tyre: Pejgamberia është tek ata, hilafeti është tek ata, mbulesa e Qabesë është tek ata, dhënia ujë haxhilerëve është tek ata, ngadhënjyen me ndihmën e Allahut ndaj ushtrisë së pronarëve të elefantëve dhe të vetmit ata e adhuruan Zotin për shatë vjet, (në një transmetim tjetër për dhjetë vjet), kur të tjerët nuk e adhuronin (fjala është për të parët në Islam si Ebu Bekri, Aliu, etj.), dhe enkas për ta, pra kurejshët, ka zbritur një kaptinë e posaçme nga Kur’ani, në të cilën nuk përmendet askush tjetër përveç tyre: “(Shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri) për të mbrojtur fisin Kurejsh”. (El-Kurejsh: 1)

    Ai, alejhi salatu ue selam, është Ebu Kasim Muhamed ibën Abdullah ibën Abdul Mutalib ibën Hashim ibën Abdumenaf ibën Kusaj ibën Kilab ibën Mureh ibën Kab ibën Luej ibën Galib ibën Fahër – i quajtur Kurejsh, sipas tij, fisi mori emrin, ibën Malik ibën Nadar ibën Kenaneh ibën Huzejme ibën Mudrikeh ibën Ilijas ibën Mudar ibën Nazar ibën Mead ibën Adnan. Kurse Adnani pa dyshim se është prej bijve të Ismailit birit të Ibrahimit, alejhim selam.

    Vendlindja e tij është Meka, vendi më fisnik në tokë dhe vendi më i dashur tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij, alejhi salatu ue selam, dhe namazi në Harem është i barabartë me njëqind mijë namaze në xhamitë tjera përveç xhamisë së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, në Medine dhe xhamisë së Aksasë.

    Kurse sa i takon emrave të tij, alejhi salatu ue selam, thuhet se i ka nëntëdhjetë e nëntë emra.

    Xhubejr ibën Mutim përcjell nga baba i tij, Allahu qoftë i kënaqur nga ta, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Unë i kam pesë emra. Unë jam Muhamed, Ahmed, El-Mahi- Ai me të cilin Allahu e fshin kufrin, El-Hashir- personi në shenjat e këmbëve të të cilit Allahu do t’i ngjallë njerëzimin, El-Akib-pas të cilit nuk ka profet tjetër”.

    Nga emrat e tij që janë përmendur në Kur’an janë. “I mëshirshëm, pishtar ndriçues, përgëzues, qortues, thirrës kah Allahu, besnik, i mbuluar, i mbështjellë, udhëzues, i sinqertë, i Dërguar i pendimit, i Dërguar i mëshirës, etj.”.

    Nofka e tij ishte Ebu Kasim (Baba i Kasimit) sipas emrit të djalit të tij të madh i cili ishte më i madhi nga fëmijët dhe i cili vdiq para shpalljes dhe kjo nofkë nuk futet në mesin e emrave të tij.

    Përcjell Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ishte në treg dhe një njeri i tha: O Ebu Kasim. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u kthye dhe i tha. “Vini emrin tim, por mos vini nofkën time”.

    Kurse sa i takon grave të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, numri i dakorduar rreth grave të tij është njëmbëdhjete. Dy prej tyre kanë vdekur duke qenë i gjallë Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, dhe emrat e tyre janë: Hatixhe, Seuda, Aishe, Umu Habibe, Umu Seleme, Zejneb bint Xhehsh, Mejmuneh, Xhuvejrijeh, Safijeh, dhe dy ishin robëresha Marija dhe Rejhaneh bint Zejd dhe thuhet bint Shemun, Allahu qoftë i kënaqur nga ato.

    Kurse sa i takon fëmijëve të tij, alejhi salatu ue selam, ai i kishte shtatë fëmijë, tre djem e katër vajza.

    Djemtë ishin: Kasimi i cili ka qenë djali i parë i Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, i cili ka lindur përpara se t’i zbriste shpallja dhe ka vdekur duke qenë fëmijë, ndërsa disa thonë se ka jetuar deri në atë moshë kur ka mundur të kalërojë.

    Abdullahu, ka qenë djali i dytë i Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, i cili ka lindur pas shpalljes së Islamit, dha ka vdekur qysh duke qenë fëmijë.

    Ibrahimi, është djali i tretë i Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, i cili ka lindur në vitin e tetë hixhrij, dhe i cili ka vdekur si foshnje shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë muajsh.

    Vajzat ishin: Zejnebi, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila ka qenë vajza më e madhe e Pejgamberit, alejhi salatu ue selem. Ka lindur pesë vite pas martesës së tij, ndërsa ka vdekur në fillim të vitit të tetë të hixhrij. Dhe e martoi Ebu As ibën Rebia, Allahu qoftë i kënaqur me të.

    Rukija, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila ka lindur tre vite pas Zejnebit, Allahu qoftë i kënaqur me të, ndërsa ka vdekur në kohën e Betejës së Bedrit dhe ishte gruaja e Othman ibën Afanit, Allahu qoftë i kënaqur me të.

    Umu Kulthumi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka lindur pas Rukijes dhe ka vdekur në vitin e nëntë hixhrij dhe po ashtu ka qenë gruaja e Othman ibën Afanit, Allahu qoftë i kënaqur me të.

    Fatimja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka lindur pesë vite para shpalljes së Islamit, ndërsa ka vdekur gjashtë muaj pas vdekjes së Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, dhe është martuar me Aliun, Allahu qoftë i kënaqur me të.

    Kurse sa i takon pamjes së tij të bukur dhe cilësive të tij larta:

    Ai, alejhi salatu ue selam, ishte i bukur dhe tërheqës. Me sy të zi, me shikim të thellë të rrethuar me qepalla të dendura dhe të gjata. Në zërin e tij ndihej ngjirje. Me qafë të gjatë. Symadh. Sysurmë. Me vetulla të gjata e të bukura, as të holla e as të trasha. Me flokë shumë të zeza. Kur heshte, u shquante qëndrimi i tij dinjitoz dhe maturia, e kur fliste, e frymëzonte shkëlqimi dhe eleganca. Njeriu më i bukur dhe më elegant prej së largu, e edhe më i bukur dhe më tërheqës prej së afërmi. Ka pasur gojë të bukur dhe sy të mëdhenj. Nuk ka qenë i trashë. Ka qenë shtat mesatar, shpatullgjerë. Flokët i kishte të gjata gjer te pulpat e veshëve. I kishte flokët gjysmë kaçurrela të zeza, si dhe mjekrën e dendur dhe të zezë. Më parë flokët i mbante të lëshuar, nga dëshira që t’i imitonte pejgamberët e mëhershëm, e pastaj i mblidhte në kokë. Kur gëzohej, fytyra i shndriste sikur të ishte një copë hëne.

    Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “As ambrit as miskut nuk i vinte erë më e këndshme se e lëkurës së Muhamedit, alejhi salatu ue selam”.

    Allahu i Madhëruar e ruajti dhe e mbrojti të Dërguarin e Tij, Muhamedin, alejhi salatu ue selam, para shpalljes në fëmijërinë e tij nga fëlliqësirat e injorancës. U kujdes për të, e zgjodhi në mesin e njerëzve, ia ngriti vlerën dhe emrin dhe nga ajo mbrojtje ishte mbrojtja e tij nga idhujtaria dhe ai nuk e adhuroi askënd tjetër përveç Allahut. Përcillet se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i kishte pas thënë Hatixhes: “Oj Hatixhe, pasha Allahun nuk e adhuroj Latin dhe Uzën (dy idhuj që adhuroheshin nga kurejshët)”.

    Po ashtu ai, alejhi salatu ue selam, nuk i hante kafshët të cilat thershin për idhujt e jo për Allahun.

    Po ashtu ai, alejhi salatu ue selam, para shpalljes qëndronte ditën e Arafatit në Arafat në kundërshtim me atë që e shpikën populli i tij nga mosqëndrimi i tyre në Arafat dhe më vonë edhe sheriati i Muhamedit, alejhi salatu ue selam, erdhi me ligjin e qëndrimit në Arafat ditën e Arafatit ashtu siç tha edhe Allahu i Madhëruar: “Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët”. (El-Bekare: 199)

    Xhubejr ibën Mutim, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Ditën e Arafatit më humbi deveja dhe dola për ta kërkuar, kur pashë Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, duke qëndruar në Arafat. Thashë me vete: “Për Allah! Ai është nga Hums. Ç’do ai këtu? Ç’e ka sjellë atë këtu?”.

    Po ashtu Allahu e mbrojti nga shpalosja e pjesëve të turpshme apo të paraqitet lakuriq.

    Xhabir ibën Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell dhe thotë: “Kur është rindërtuar Qabja, ka shkuar Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, dhe Abbasi të bartin gurë, dhe Abasi i ka thënë Pejgamberit, alejhi salatu ue selam: “Vëre një teshë në qafë”. Ai pastaj është rrëzuar për tokë i trullosur, me sy të drejtuar kah qielli dhe ka thënë: “Më jep pjesën e poshtme të teshave të mia. Më jep pjesën e poshtme të teshave të mia”. Pastaj e shtrëngoi rreth vetes”.

    Kurse sa i takon lindjes së tij, alejhi salatu ue selam: u lind në familjen Beni Hashim në Mekë, në mëngjesin e ditës së hënë, më nëntë Rebiul Evel, thuhet po ashtu tetë, dhjetë, dymbëdhjetë, dhe në këtë të fundit anojnë shumica e dijetarëve, në vitin e parë të ngjarjes me “elefantin”, ose dyzet vjet pas sundimit të mbretit persian Kisras.

    Gruaja që ndihmoi në lindjen e tij ishte Umu Ejmen kurse gruaja e parë që i ka dhënë gji, pas nënës së vet, ka qenë Thuvejbia, e mbrojtura e Ebu Lehebit.

    I është thënë të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, se si është fillimi i çështjes tënde?

    Është përgjigjur, alejhi salatu ue selam: “Unë jam lutja e Ibrahimit, përgëzimi i Isait, dhe nëna ime ka parë se nga ajo ka dalë një dritë e madhe, nga e cila kanë shkëlqyer pallatet e Shamit”.

    Thënia e tij lutja e Ibrahimit, alejhi selam, është thënia e Allahut: “O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!”. (El-Bekare: 129)

    Përgëzimi i Isait, alejhi selam, është ai që na e tregoi Allahu në Kur’an: “Dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed, që do të vijë pas mej”. (Es-Saf: 6)

    Kurse për thënien e tij “nëna ime ka parë se nga ajo ka dalë një dritë e madhe, nga e cila kanë shkëlqyer pallatet e Shamit”, ibën Rexheb el Hanbeli thotë: “Dalja e kësaj drite në momentin e lindjes është argument i ardhjes së tij me dritë që do të udhëzohen banorët e tokës dhe do të largohet nga ajo errësira e shirkut ashtu siç thotë Allahu në Kur’an: “O ithtarët e Librit! Juve ju erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej Librave (Teuratit dhe Ungjillit) dhe ju fal shumë. Juve ju erdhi prej Allahut dritë (I Dërguari) dhe Libër i qartë (Kur’ani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë”. (El-Maide: 15-16)

    Dhe po ashtu tha: “Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit”. (El-A’raf: 157)

    Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Veçimi i Shamit në hadith se do të paraqitet drita atje aludon në përqendrimin e fesë së tij dhe profecisë së tij në shtetet e Shamit dhe për këtë arsye Shami para Kiametit do të jetë fortesë e Islamit dhe muslimanëve dhe në të do të zbrit Isa, alejhi selam, në lindje të Damaskut tek minarja e bardhë, dhe për këtë në një hadith ka ardhur se: “Do vazhdojë të jetë një grup nga Umeti im të patundur nën urdhrin e Allahut, ata nuk do të dëmtohen nga kushdo që i kundërshton”.

    Në një transmetim që e shënon imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë: “Ata do të jenë në Sham”.

    Shejh Ahmed Ferid       

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU       

  • MOSTËR NGA TË DREJTAT E MUSLIMANIT NDAJ MUSLIMANIT

    MOSTËR NGA TË DREJTAT E MUSLIMANIT NDAJ MUSLIMANIT

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, i cili na urdhëroi që të kapemi për litarin e Tij dhe na ndaloi prej përçarjes dhe kontradiktave: “Kush mbahet fort pas (fesë së) Allahut, sigurisht që është i drejtuar në udhë të mbarë” (Ali Imran: 101) Dëshmoj se nuk i takon me të vërtetë adhurimi askujt përveç se Allahut, i Cili është një dhe nuk ka shok. Dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij dhe dëshmoj se është njeriu me moral më të lartë dhe me zemër më të mirë dhe më të shëndoshë. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

    O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe dijeni se ju jeni vëllezër në Fe dhe se kjo vëllazëri dhe lidhje fetare është më e fortë se çdo lidhje tjetër. Ditën e Kiametit nuk ka dhe nuk vlen lidhja familjare mes jush, por atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun. Realizoni këtë vëllazëri me dashuri dhe afërsi mes jush, dojani njëri tjetrit të mirën dhe bashkëpunoni në të, veproni vepra të cilat e përforcojnë këtë lidhje dhe e kultivojnë atë dhe largojuni veprave të cilat e dobësojnë atë lidhje dhe e mangësojnë atë. Një umet nuk mundet të jetë umet dhe në të të ketë fuqi derisa nuk bëhet ashtu siç e ka përshkruar Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, në thënien e tij: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa, pjesët e të cilës mbajnë fort njëra-tjetrën”.

    O vëllezër, Allahu për ju e ligjësoi atë që e përforcon unitetin e juaj dhe e kultivon dashurinë mes jush dhe e largon armiqësinë dhe përçarjen e ajo është dhënia e selamit mes jush. Selami, pra, mbjell dashuri dhe afërsi, kurse braktisja e kontaktit mes jush sjell armiqësi dhe ashpërsi. Nëse e takoni njëri-tjetrin përshëndetuni mes jush dhe më të mirët nga ju janë ata që fillojnë të parët me selam dhe ai që ia kthen selamin le t’i përgjigjet me fytyrë të buzëqeshur dhe me përgjigje që dëgjohet.

    Allahu për ju e ligjësoi po ashtu edhe vizitën e njëri-tjetrit kur të sëmureni. Vizita e të sëmurit sjell dashuri dhe e zbut zemrën, e shton besimin dhe sjell shpërblime. Kush e viziton një të sëmurë e thërret një thirrës nga lart qiellit “U gëzofsh me të mira dhe u shpërblefshin hapat e tua me të mirë dhe shtëpia jote u bëftë Xheneti!”. Kush e viziton vëllain e vet musliman vazhdon të jetë në hurfet e Xhenetit derisa të kthehet nga vizita e të sëmurit. I thanë: O i Dërguar i Allahut, çka janë hurfet? Tha: “Frytet e Xhenetit”. Kush viziton një të sëmurë pëlqehet që t’i qëndrojë te koka dhe t’i jep gajret e ta qetësojë me fjalë të mira dhe të këndshme, duke i uruar shërim dhe jetëgjatësi. Kjo vepër ia ngrit moralin dhe e forcon shpirtërisht. Është mirë që vizituesi të kërkojë lutje prej të sëmurit, sepse lutja të cilën e bën i sëmuri për vizituesin i ngjan lutjes së melaqeve. Mirë është që t’ia rikujtojë pendimin dhe ta nxitë që kohën ta shfrytëzojë në lexim të Kur’anit, dhikrit dhe istigfarit dhe t’i tregojë se si duhet të pastrohet me ujë apo tejemum, si ta falë namazin, e si ta lë porosinë, për arsye se shumë nga të sëmurët nuk i dinë këto rregulla dhe dispozita.
    Allahu për ju ligjësoi po ashtu përmirësimin mes njerëzve. Allahu i Madhëruar në lidhje me këtë tha: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve”. (En-Nisa: 114) Me një hadith ka ardhur se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i ka thënë Ebu Ejubit, Allahu qoftë i kënaqur me të: “A dëshiron të tregoj për një tregti”. Ebu Ejubi iu përgjigj: “Po, o i Dërguar i Allahut”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: “Të shkosh dhe t’i përmirësosh njerëzit nëse ata janë përçarë mes vete dhe t’i afrosh ata mes tyre nëse janë larguar njëri nga tjetri”.

    Njeriu kur vëren se mes dy vetave ka armiqësi dhe përçarje mirë është që të merr iniciativë që ta largojë atë armiqësi derisa atë ta shndërrojë në shoqëri dhe largësinë mes tyre në afërsi dhe në këtë rast do të fitojë shumë mirësi dhe shpërblim të madh.

    I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ua ligjësoi që kur ta dëgjoni një musliman që teshtitë të thotë “Elhamdulilah-Falënderimi i takon Allahut” ju t’ia ktheni atij me “Jerhamukallah-Allahu ju mëshiroftë” që në fund ai t’ua kthejë dhe t’ju thotë “Jehdikumullahu ue juslih balekum- Allahu ju udhëzoftë dhe gjendjen e juaj e përmirësoftë”.

    Poashtu ua ligjësoi dhurimin e dhuratave mes jush dhe na lajmëroi se dhurata është shkak për largimin e zemërimit dhe sjell dashuri. Pra çdo gjë që sjell lidhje dhe unitet mes muslimanëve është e ligjësuar të veprohet dhe duhet të kapemi për të.

    Në anën tjetër i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ndaloi nga çdo gjë që i përçan dhe i largon muslimanët mes vete. E ndaloi që të distancohet vëllai musliman nga muslimani më shumë se tre ditë, t’ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit dhe mos ta përshëndesin njëri-tjetrin për arsye se armiqësia mes tyre në këtë mënyrë nuk do të largohet po vetëm se do të shtohet. Kjo sjellje pa dyshim se është e qortuar dhe nuk është e pranuar mirëpo e shohim se shejtani luan me disa njerëz derisa i shpien në këtë vepër edhe pse ndoshta ata janë njerëz që e duan hajrin dhe janë njerëz të kapur për fe, por shejtani i mashtron dhe fillojnë që të distancohen nga njëri-tjetri madje për çështje personale apo për interesa të dynjasë dhe harrojnë se Islami është më i vlefshëm se çdo gjë personale dhe dobi të dynjasë. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, rreth kësaj tha se: “Nuk i lejohet muslimanit ta bojkotojë vëllain e tij musliman më tepër se tre ditë. Nëse e bojkoton atë më shumë se tre ditë dhe vdes në këtë gjendje hyn në zjarr”.

    Dhe po ashtu tha: “Çdo të hënë dhe të enjte prezantohen veprat e robit dhe Allahu ia falë në ato ditë çdo robi që nuk i ka përshkruar shok dhe ortak Allahut përveç se atij i cili ka mosmarrëveshje me vëllain e vet musliman dhe Allahu thotë leni ata dy derisa të pajtohen mes tyre”.

    Largimi i muslimanit nga muslimani pra është i ndaluar përveç se nëse ai është mëkatar që i shfaq ato në publik dhe për atë ligjësohet nëse në largimin nga ai ka dobi që të largohen muslimanët një periudhë me qëllim që t’i largohet mëkateve apo t’i pakëson ato.

    Sheriati i Allahut ka ardhur me ndalesë sa i përket bartjes së fjalëve dhe ecjes në mesin e njerëzve me qëllim të shpërndarjes së tyre dhe futjes urrejtje në mesin e njerëzve. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai që bart fjalë”.

    Sheriati i Allahut po ashtu ndaloi nga sharja dhe fyerja për arsye se kjo shpien deri në armiqësi dhe urrejtje.

    O ju besimtarë, afrohuni mes vete dhe largoni armiqësitë dhe urrejtjet mes jush dhe bëhuni robër të Allahut vëllezër mes jush.

    Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni”. (El-Huxhurat: 10)

    Shejh Dr. Salih El Humejd

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • MADHËRIMI I CITATEVE SHERIATIKE

    MADHËRIMI I CITATEVE SHERIATIKE

    Allahu njerëzimit ia detyroi Islamin si fe dhe ligj. Me Islam njeriut ia garantoi përmirësimin e zemrave, trupave dhe ruajtjen e pasurive dhe shoqërive, në çdo kohë e vend, pa marrë parasysh gjuhën dhe racën e tyre. Prandaj zbriti dispozita dhe caktoi dënime, e qartësoi të mirën dhe e qartësoi të keqen. Pasi që këto dispozita binin ndesh me epshet dhe dyshimet e disa njerëzve, këta të fundit i pranuan këto dispozita me mëdyshje duke i mohuar në tërësi ose duke i devijuar e komentuar sipas epsheve dhe dyshimeve të tyre. Kjo metodologji e pranimit të citateve pa dyshim se është shumë e rrezikshme për jetën e njeriut. Prandaj më së miri për një musliman është që të paralajmërohet prej kësaj dukurie negative dhe ta mësojë veten në pranimin e dispozitave pa mëdyshje dhe skepticizëm.

    Për ta madhëruar dhe lavdëruar Allahun e domosdoshme është madhërimi i dispozitave dhe respektimi i kufijve të Tij. Shenja e dashurisë së çiltër pra, është nënshtrimi i të dashurit. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Prej gradave të para të madhërimit të Allahut është madhërimi i urdhrit të Tij dhe e ndalesës që e ndaloi Ai. Kjo, për shkak se besimtari e njeh Zotin e tij nëpërmjet mesazhit që e dërgoi me të të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selem, deri tek të gjithë njerëzit. Përmbajtja e atij mesazhi është: “Nënshtrim i plotë i urdhrit të Tij dhe largimi prej ndalesës së Tij”. Kjo arrihet vetëm se me madhërimin e urdhrit të Allahut dhe pasimit të tij dhe me madhërimin e ndalesës së Tij dhe largimit prej saj. Madhërimi i urdhrit të Allahut dhe ndalesës së Tij prej anës së besimtarit është argument për madhërimin e tij të Allahut dhe sipas këtij madhërimi do të jetë prej punëdrejtëve që dëshmohet për to besimi i drejtë dhe i pastër dhe shërimi prej hipokrizisë së madhe”.

    O robër të Allahut!

    Pasi që kriter i domosdoshëm i madhërimit të Allahut është madhërimi i dispozitave të Tij, atëherë, detyrohet që çdo musliman të nxiton në realizimin e tij, ta edukojë veten në të derisa të drejtohet dhe të vazhdon më tutje.

    Madhërimi ka shenja që aludojnë në të dhe prej shenjave të madhërimit të citateve sheriatike janë:

    – Mospasja e të drejtës për të zgjedhur në pranimin e dispozitës së Allahut.

    Muslimani nuk ka të drejtë zgjedhjeje në pranimin e dispozitave të Allahut, por detyrohet që t’i nënshtrohet plotësisht dhe tërësisht dispozitave të Allahut pa mëdyshje apo hamendje: Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur”. (El-Ahzab: 36)

    Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky ajet është i përgjithshëm dhe vlen për të gjitha çështjet. Edhe atë kur gjykon Allahu dhe Profeti i Tij, alejhi salatu ue selam, me diçka nuk i lejohet askujt kundërshtimi i këtij gjykimi, e as nuk ka të drejtë zgjedhjeje, e as dhënie mendimi apo thënie të ndonjë fjale”.

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, gjatë komentimit të këtij ajeti e sjell një thënie të Hasan el Basriut i cili kishte thënë: “Nuk i takon një besimtari e as një besimtareje kur të urdhëron Allahu dhe i Dërguari i Tij, salallahu alejhi ue selem, me diçka t’i kundërvihen”.

    – Mosekzistimi i ndjenjës së ngushtimit në gjoks gjatë dëgjimit të citatit sheriatik.

    Muslimani duhet ta edukojë veten e tij që t’i pranojë citatet dhe të veprojë me to me gjoks të hapur dhe me zemër të qetë ashtu siç na mëson edhe Allahu në Kur’an: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht”. (En-Nisa: 65)

    Imam ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Betohet Allahu, azze ue xhel, në veten e Tij Fisnike dhe të Shenjtë se nuk ka besuar asnjëri derisa ta marrin Muhamedin, alejhi salatu ue selam, për gjyqtar në të gjitha çështjet dhe se çdo gjykim i tij është i drejtë dhe jemi të detyruar t’i nënshtrohemi këtij gjykimi me zemër dhe me vepra. Prandaj Allahu tha: “e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht”, që do të thotë se ti kur gjykon i nënshtrohen asaj që ti gjykon në brendësinë e tyre dhe nuk ndiejnë në vetvete ngushtim në gjoks ndaj gjykimit tënd dhe të binden ty plotësisht pa kundërshtime dhe pengesa”.

    – Hulumtimi i tepërt apo thellimi në kërkimin e urtësisë së ligjësimit të citatit. 

    Kjo veti e mangëson përsosmërinë e bindjes dhe nënshtrimit, madje mund të ndodhë që vazhdimësia në kërkimin e urtësive të citateve ta çon njeriun deri në mohimin e disa dispozitave fetare. Muslimani duhet ta edukojë veten në pranimin e dispozitave me gjoks të gjerë. Nuk ka pengesë në rast se dëshiron ta dijë urtësinë dhe ta kërkojë atë në rast se ka mundësi, mirëpo në rast se nuk mundet ta zbulojë urtësinë e ligjësimit atëherë prej etikës dhe moralit të lartë është përmbajtja dhe largimi prej kërkimit të saj: “Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten”. (El-Enbija: 23)

    Imam Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Muslimani i nënshtrohet dispozitave të Allahut pa marrë parasysh se a i paraqitet atij urtësia e ligjësimit apo jo. Në rast se paraqitet urtësia e ligjësimit në urdhrin dhe ndalesën e Tij atëherë ajo duhet të jetë nxitës në rritjen e nënshtrimit dhe bindjes në urdhrin e Allahut dhe nuk duhet që të jetë shkak i largimit të tij prej asaj dispozite apo mohimit të saj në përgjithësi”.

    Komentuesi i librit Akide Tahauije thotë: “Dije se ndërtimi i të qenurit rob i Allahut dhe besimi në Allahun, në Librat e Tij dhe në të Dërguarit e Tij bëhet me nënshtrim dhe bindje dhe me mosparashtrimin e pyetjeve rreth shpjegimit të hollësishëm të urtësive në urdhëresat, në ndalesat dhe në ligjësimet. Prandaj Allahu nuk na tregoi në Kur’an për ndonjë Umet të ndonjë profetit e cila i besoi të dërguarit të tyre dhe mesazhit me çka erdhi ai, e ta kishin pyetur hollësisht për urtësitë e urdhrave, ndalesave dhe ligjeve me të cilat kishte ardhur tek ai Umet. Po të kishin vepruar ashtu nuk do të ishin besimtarë në të dërguarin e tyre. Por ata u nënshtruan, u bindën, çka e ditën prej urtësive e mësuan, çka u fsheh prej tyre nuk u bë shkak që ata t’i largohen bindjes dhe nënshtrimit dhe i dërguari i tyre në sytë e tyre ishte shumë më i madh se sa ta pyesnin për këto çështje”.

    Po ashtu prej shenjave që aludojnë në madhërimin e citateve sheriatike janë:

    – Irritimi për hir të Allahut kur cenohet paprekshmëria e ligjeve dhe ndalesave të Tij dhe tentimi i mbrojtjes së tyre sipas mundësive.

    Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, çdo herë që kishte të drejtë zgjedhjeje mes dy gjërave, e zgjidhte më të lehtën, në rast se ajo vepër nuk përmbante në vete mëkat. Në rast se ishte mëkat atëherë ishte njeriu që më së shumti i largohej atij”.

    Robi sa më shumë që është xheloz për fenë e Allahut dhe për shenjtërinë e saj dhe sa më shumë që nxiton në përmirësimin e muslimanëve, aq më shumë është argument i tij për madhërimin e dispozitave dhe përkujdesjen e kufijve të fesë.

    Detyrimi i robit që t’i pranojë dispozitat si adhurim me të cilin afrohet kah Allahu e mos t’i pranojë për syfaqësi dhe prestigj.

    Muslimani duhet të jetë prej atyre që pikëllohet për hir të Allahut kur i ik ndonjë e mirë dhe të gëzohet për hir të Allahut kur mbërrin ta veprojë një të mirë. Ebu Jemame, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell prej Profetit, alejhi salatu ue selam, të kishte thënë: “Kush do për hir të Allahut dhe urren për hir të Allahut dhe jep për hir të Allahut dhe merr për hir të Allahut, vetëm se e ka plotësuar besimin e tij”.

    Përmbajtja prej asaj që nuk ka dituri dhe paralajmërimi prej zhytjes në studime të citateve padituri.

    Muslimani duhet të jetë i vetëdijshëm rreth parimeve të kërkimit të diturisë duke u bazuar në fjalët e Allahut: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi”. (El-Isra: 36) dhe në fjalët e Allahut që ia tha Nuhit, alejhi salatu ue selam, kur kërkoi ky i fundit që Allahu t’ia shpëton djalin: “Mos më pyet për atë që ti nuk e di. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit”. (Hud: 46)

    Allahu, azze ue xhel, ithtarëve të Librit ju tha: “Mirë ju polemizoni për gjëra që keni një farë dijenie (për çështje që lidhen me Musain, alejhi selam, dhe Isain, alejhi selam), por, pse polemizoni për atë, për të cilën s’dini asgjë (për Ibrahimin, alejhi selam)? Allahu e di hollësisht, ndërsa ju nuk dini asgjë për këtë”. (Ali Imran: 66)

    Allahu në ajetin e parë e edukoi të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam, me një edukatë madhështore duke e mësuar që t’i përmbahet asaj që nuk ka dituri, ndërsa në ajetin e dytë Allahu e ndaloi Nuhin, alejhi selam, prej parashtrimit të pyetjeve për atë që nuk e di dhe atë e konsideroi prej paditurisë.

    Sidoqoftë, zhytja në studime rreth kuptimeve të citateve padituri apo të folurit për Allahun dhe fenë e Tij padituri është mëkat i madh dhe është shkak që sjell dëme të mëdha për veten dhe për të tjerët.

    Muhamed ibën Sirini, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Që të vdes një njeri si i paditur është më mirë për të se sa të flet për Allahun dhe fenë e Tij diçka që nuk e dinë”.

    O Zot, shtona nënshtrimin ndaj dispozitave të Tua dhe shtona madhërimin Tënd në zemrat e tona, mundësona që ta dallojmë të vërtetën prej të pavërtetës dhe ta pasojmë atë dhe mundësona ta dallojmë të pavërtetën prej të vërtetës dhe t’i largohemi asaj.

    Shejh Abdulaziz Sed’han     

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • KRIMI I SIHRIT (MAGJISË)

    KRIMI I SIHRIT (MAGJISË)

    O muslimanë, udhëzimi është dhuratë e Allahut dhe me të e begaton atë që do nga robërit e Tij. Allahu na urdhëroi që ta ruajmë këtë begati nga çdo gjë që ia humb shkëlqimin dhe ia dëmton vlerën, mirëpo ka nga njerëzit, të cilët e shitën fenë e tyre lirë, pa qenë të kënaqur nga ajo që Allahu u caktoi nga fatkeqësitë e sprovat, për ta apo për të tjerët. Kjo i bëri ta shesin fenë e tyre tek sihirbazë, dhe magjistarët e fallxhorët, duke i pyetur ata për fshehtësitë, apo të kërkuarit nga ta që t’ju bëjnë tjerëve sihër e magji dhe me të t’i dëmtojnë njerëzit dhe shoqëritë.

    Sihri është vepër që përmban shumë mëkate të mëdha që ta shkatërrojnë fenë, si kërkimi ndihmë nga xhindet dhe shejtanët, frika e zemrës nga të tjerët jashtë Allahut, largimi i mbështetjes nga Allahu dhe shkatërrimi i jetës së shumë njerëzve dhe dobive të tyre. Sihri është sebep për shkatërrimin e shumë familjeve, shtëpive dhe shoqërive.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Largojuni shtatë (mëkateve) shkatërruese. Thanë cilat janë ato, o i Dërguar i Allahut? Tha: Shirku, magjia, mbytja e njeriut pa të drejtë e që e ka ndaluar Allahu, ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, kthimi i shpinës kur takohen dy palët (ikja nga fronti) dhe shpifja ndaj grave të ndershme muslimane”.

    Shejtani e nxit fortë magjistarin t’i bën sihër robërve të Allahut. Allahu thotë: “Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët” (El-Bekare: 102); “E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi”. (El-Bekare: 102) Kjo nuk do të thotë se çdo sihër ndikon tek njeriu! Sa magjistarë kanë lidhur nyje dhe nuk ka pasur ndikim tek njeriu. Allahu thotë: “Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut”. (El-Bekare: 102) Dëmi dhe dobia janë në dorën e Allahut. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Dije se po nëse gjithë njerëzit tubohen, pajtohen që ty të të bëjnë një të keqe, nuk do të mund të bëjnë përpos asaj që Allahu për ty ka caktuar”.

    O muslimanë, magjistari është njeriu më i fëlliqur dhe me moral më të keq, me zemër më të ligë, i përafërt me shejtanin, rob i tij, nuk e do të mirën, dëmtues i shoqërisë, i përshkruar me cilësitë më të nënçmuara, dhe mashtrues i atyre që vijnë tek ai, duke i mashtruar me lajmet që ua jep. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se kur ajo e pyeti të Dërguarin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për fallxhorët ai u përgjigj se ata nuk ishin asgjë. Ajo pastaj përmendi se fallxhorët ndonjëherë u thoshin gjëra që ishin të vërteta. I Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kjo është një pjesë e të vërtetës të cilën xhini e vjedh dhe e llomotit në veshin e shokut të tij, por ai e përzien atë me 100 gënjeshtra”.

    Magjistarit sihri i tij nuk ka mundësi t’i plotësohet, vetëm se atëherë kur i bën kufër Allahut. I Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush bën sihër vetëm se ka bë shirk”.

    E përmendin dijetarët se kjo është argument se magjistari është mushrik, ngase sihri nuk mund të veprohet pa bërë shirk.

    Magjistari e do pasurinë, madje fortë, dhe i mashtron njerëzit për hir të saj. Kur kërkoi Faraoni nga magjistarët të ballafaqohen me sihër me Musain, alejhi selam, ata kërkuan nga ai pasuri. Allahu thotë: “Dhe kur erdhën magjistarët e Faraonit, thanë: “A do të shpërblehemi, nëse fitojmë?” Faraoni tha: “Po, dhe do të jeni nga më të afërmit e mi”. (El-A’raf: 113-114)

    Magjistari i mashtron njerëzit dhe i thërret në shirk. I urdhëron të prenë kurban për shejtan dhe i urdhëron të lidhin hajmali, me pretekst se ajo i bën dobi dhe ua largon dëmin. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush mban apo lidh hajmali vetëm se ka bërë shirk (idhujtari)”.

    Ata që shkojnë tek ai, i mashtron duke i bindur se i di sëmundjet dhe problemet e tyre, me qëllim që t’ua përfiton zemrën dhe po ashtu i mashtron ata që shkojnë tek ai me shënimin e ajeteve të Kur’anit nëpër fleta të ndryshme.

    Dëmi i magjistarit është i madh për shoqërinë. Veprat e tij janë errësirë e rëndë. Plot nga njerëzit i ka futur në shirk, i ka shkatërruar shumë shtëpi të lumtura, e ka ndarë burrin dhe gruan që janë dashur mes vete, shumë fëmijë të pafajshëm për shkak të sihrit të tij e kanë shijuar hidhëtinë e jetës, janë ballafaquar me ndarjen e prindërve të tyre, dhe kjo ka qenë shkak i devijimit të tyre. Sa njerëz të shëndoshë magjistari ka qenë sebep i të sëmurit të tyre, sa të varfër janë zhytur nëpër borxhe duke i dhënë magjistarit të holla, kinse t’ua largojnë problemet e tyre?! Sa të holla haram dhe të kota i ka ngrënë magjistari duke pretenduar se e ka ilaçin dhe se e njeh fshehtësinë?! Sa njerëz i ka nxjerrë nga feja duke i besuar lajmërimeve të tij, kinse nga fshehtësitë, të cilat nuk i dinë përveç se Allahu?! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush i afrohet magjistarit apo parashikuesit dhe e pyet për diçka dhe i beson asaj që e thotë, vetëm se e ka mohuar atë që i ka zbritur Muhamedit”.

    Për shkak të rrezikut të dëmit të magjistarit mbi muslimanët, u caktua vendimi për ta që t’u prehen qafat, me qëllim që shoqëritë të rehatohen nga sherri i tyre. Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, u shkroi punëtorëve të tij që të mbysin çdo magjistar dhe magjistare.

    Kjo në dynja, kurse shpërblimi i tyre në ahiret është hyrja në Xhehenem, ku Allahu thotë: “Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër”. (El-Bekare: 102)

    O ju muslimanë, kush troket në derën e magjistarit që të bën sihër për të, vetëm se e ka shitur fenë e tij me dynjanë e tij, dhe e ka zëvendësuar dritën e besimit me errësirën e zemrës. Nëse njeriu e pëlqen këtë vepër edhe pse nuk e vepron, është i njëjtë në mëkat, sikurse ta kishte vepruar. Një ndër dhjetë gjërat të cilat e nxjerrin muslimanin nga Islami, është edhe veprimi i sihrit apo të kënaqurit me këtë vepër. Allahu thotë: “Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër”. (El-Bekare: 102)

    Shkuarja tek magjistari e hidhëron Allahun, i bën padrejtësi krijesës dhe e dëmton dynjanë dhe fenë e njeriut. Prandaj, ti i cili kërkon që t’i veprohet ndokujt sihër, mos u bëj kurban i magjistarit që të nxjerr nga feja jote. Rikujtoje se dynjaja është e shkurtër dhe se ti do të jesh i vetëm në varr, pra pendohu sinqerisht dhe pastroje zilinë e zemrës tënde duke i bërë mirë të tjerëve dhe shkatërroi nyjat nëse i ke bë sihër, ndokujt para se të vjen dënimi i Allahut mbi ty.

    Atij që i bëhet sihër është i dëmtuar rëndë dhe Allahu ka mundësi që t’ia zëvendësojë atë begati mbi të cilën ka pasur zili, me diçka edhe më të mirë. Allahu i sprovon robërit e Tij për t’ua ngritur gradat dhe për t’i pastruar nga gjynahet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kujt Allahu ia do të mirën e sprovon”.

    O ti që je i sprovuar me sihër, mos u pikëllo për atë që të goditi. Allahu e sprovon robin e Tij që ta afron kah Ai. Mos u zemëro për atë që të goditi dhe mos u dëshpëro nga ajo që Allahu e caktoi për ty. Kjo ka mundësi të jetë shkak për lumturinë tënde. Allahu thotë: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju”. (El-Bekare: 216)

    Duaja e të dëmtuarit pranohet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Tri lutje (dua) janë të pranuara pa dyshim: lutja e atij mbi të cilin bëhet padrejtësi, lutja e udhëtarit (mysafirit), si dhe lutja e prindit për fëmijën e vet”.

    Nëse bën durim dhe i frikohesh Allahut, për ty do të ketë përfundim të mirë. Allahu thotë: “Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut”. (El-A’raf: 128)

    Shpeshtoje lutjen e Junusit, alejhi selam, i cili tha: “LA ILAHE IL-LA ENTE SUBHANEKE INNI KUNTU MIN EDH-DHALIMIN”. ( Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejt vetes!).  I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Muslimani nuk lutet me këtë lutje për ndonjë gjë, e të mos i pranohet lutja”.

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë se është vërtetuar se kush e thotë shtatë herë, Allahu ia largon problemin e tij.

    Bëje duanë: “Ina lilahi ue ina ilejhi raxhiun, Allahume exhurni fi musibeti ue hluf li hajran minha” (Të Allahut jemi dhe tek ai do të kthehemi, O Allah më shpërble për këtë fatkeqësi dhe ma kompenso atë me një më të mirë se atë që kisha). Kjo le të jetë e shpeshtë në gjuhën tënde. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e thotë këtë lutje, Allahu do ta shpërblejë për këtë fatkeqësi dhe do t’ia zëvendësojë me diçka më të mirë”.

    Kapu edhe për istigfarin, ngase istigfari t’i largon brengat dhe t’i lehtëson vështirësitë.

    O ti që je i sprovuar me sihër, për ty më mirë është që je i dëmtuari se sa i padrejti. Prandaj mbështetu Zotit tënd, shpeshtoje istigfarin dhe lutjet dhe dije se lehtësimi i Allahut është afër. Mjerë për ty nëse dëshpërohesh nga mëshira e Allahut!!

    Kur njeriu është i afërt me Allahun, nga ai largohen belat dhe sherri. Përmendja e shpeshtë e Allahut, është nga shkaqet e ndalimit dhe pengimit të sihrit. Përkujdesja për namazet, e sidomos namazi i sabahut me xhemat është mburojë nga sherret. Surja Bekare është e bereqetshme. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Lexojeni suren Bekare! Mësimi i saj është bereqet, kurse lënia e saj është humbje, dhe ai që e lexon nuk mundet t’i bëjnë dëm magjistarët”.

    Leximi i sures Felek dhe Nas në mëngjes dhe mbrëmje, janë sebep për mbrojtje nga sihri. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ka porosit Ukbe ibën Amir, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke i thënë: “Kërko mbrojtje me to. Nuk ka njeri që ka kërkuar mbrojtje me diçka më të mirë se sa me to”.

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nevoja e njeriut të kërkon mbrojtje me ato dy sure, është më e madhe se sa nevoja e tij për ujë, dhe ushqim, dhe veshje”.

    Kush i lexon natën dy ajetet e fundit të sures Bekare i mjaftojnë ato nga sherret. Kush i ha shtatë hurma nga lloji axhve, e mbrojnë nga sihri. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush ha në mëngjes shtatë hurma të llojit axhve, në atë ditë nuk do t’i bëjë dëm, as helmi, e as sihri”.

    Jeni të kujdesshëm nga mëkatet, llojet muzikës dhe veglave muzikore. Ato janë sebepi kryesor për afrimin e shejtanëve në shtëpi. Nëse njeriu i largohet përmendjes së Allahut, atëherë shumë lehtë i afrohen shejtanët dhe e dëmtojnë. Prandaj shpeshtoni leximin e Kur’anit, merruni me adhurime.

    Kur’ani është shërim nga të gjitha sëmundjet, kurse përmendja e Allahut e mbron robin nga çdo gjë që do ta dëmton, dhe ia zgjeron gjoksin dhe ia qetëson zemrën: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”. (Er-Ra’d: 28)

    Shejh Dr. Abdulmuhsin El Kasim

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • ZEKATI NË ISLAM

    ZEKATI NË ISLAM

    E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë. (Bejine:5)

    O ju besimtarë jepeni zekatin…

    Allahun e falemenderojmë i cili e bëri obligim dhenien e zekatit , ndërsa slavatet përshëndetjet qofshin mbi Muhamedin salallahu alejhi ve selem i cili ishte bujari dhe dorëdhënësi më i madh në mesin e gjithë krijesave.

    I nderuari vëlla musliman, e nderuara motër muslimane, në këto rrjeshta do të shpjegojmë shkurtimisht rëndësinë e zekatit në islam, për pozitën e tij, rrezikun e mosdhënies së tij dhe për urtësinë e dhënies së tij. Këtë e bëjmë pasi që shumica e muslimanëve tregohen të pakujdesshëm ndaj këtij adhurimi, ku si pasojë e mosdhënies së tij vuan shoqëria muslimane e sidomos të varfurit madje njëkohësisht humbë edhe bereqeti i pasurisë. Prandaj të kemi kujdes mirë se si sillemi me këtë shtyllë të madhe të islamit, ku gjithashtu këtu parashtrohet pyetja ndaj çdo të pasuri: vallë a e ke dhënë zekatin e pasurisë tënde?

    A – Çfarë është zekati?

    Zekati është adhurim-ibadet i obliguar për Allahun duke shpenzuar një pjesë të pasurisë së caktuar nga ligji islam, më mall të caktuar, në kohë të caktuar, ndaj grupeve të caktuara, me kushte të caktuara. Prandaj jepe zekatin ngase do të shohësh se çfarë pozite ka zekati në islam.

    1 – Zekati është shtylla e tretë e islamit, një ndër shtyllat fundamentale të islamit, duke u bazuar për këtë në hadithin e Abdullah ibn Omerit-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë së i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:” Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarje në haxh.” Kurse në transmetimin e Muslimit qëndron:” Islami qëndron mbi pesë gjëra: Të adhurohet Allahu dhe të mohohet çdo adhurim jashtë tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, shkuarja në haxh, agjërimi i Ramazanit.[1]

    2 – Zekati është cekur në Kuran bashkë me namazin, në shumë vende të Kuranit, ai është cekur në 107 ajete kurse në 82 prej tyre i shoqëurar bashkë me faljen e namazit, faktë i cili tregon për pozitën e madhe të tij tek Allahu, thotë Allahu i Lartësuar:” Faleni namazin, jepeni zekatin dhe bini në ruku me ata të cilët bien në ruku.[2]

    B – Ndërsa në vijim do të cekim rrezikun e mosdhënies së zekatit:

    1 – Kurani dhe suneti tregojnë për dënimin e rëndë për mosdhënien e tij, prej të cilit dënim rrënqethet lëkura e rrjedhin lot nga sytë e besimtarit, thotë Allahu i Madhëruar:” Dhe ata që grumbullojnë pasuri në ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë në rrugën e Allahut, jepu sihariq për dënim të dhimbshëm. Atë ditë kur ajo(pasuri e deponuar) fërgohet në prushin e xhehenemit, e me të(ashtu zharavë) lyhen ballët, anët dhe shpinat e tyre (do t’u thuhet): Kjo është ajo që e depozituat për veten tuaj, pra shijoni atë që e depozitonit![3] Kurse në suren Ali Imran Allahu thotë:” Ata të cilët bëjnë kopraci me atë që nga të mirat e veta u dha Allahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çfarë bënë në koprraci, në ditën e kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. E Allahut i mbesin në trashëgim qiejt e toka, Allahu është i njohur mirë për atë që ju veproni.[4]

    Ebu Hurejra-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:”Asnjë pronar i arit dhe i argjendit (të hollave), që nuk i përmbush detyrimet e veta, nuk do të mbetet në Ditën e Gjykimit pa u farkuar me pllaka të zjarrta, që do të nxehen në zjarrin e Xhehenemit, dhe me të do të gërkohen, lyhen anët e tij, balli, kraharori dhe shpina e tij, dhe çdo herë që pllakat ftohen do të nxehen përsëri. Kjo do të jetë në di­tën që do të zgjasë pesëdhjetë mijë vjet, në të cilën do të zba­tohet gjykimi në mes njerëzve, robërve dhe kur do t’i tregohet çdo­kujt rruga për në Xhenet ose në Xhehenem.” Të pranishmit thanë: “O i Dërguari i All-llahut, çfarë do të bëhet me devetë, pasu­ri­në e njeriut?”  – i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha: “Edhe asnjë pronar i deves, që nuk i kryen detyrimet e veta, e prej tyre mjeljen e saj ditën kur ajo shkon të pijë ujë. Çdo pronar që nuk i kryen detyrimet e veta ndaj deves, në Ditën e Gjykimit do të shtrihet në një vend të rrafshtë dhe të gjerë, aq sa dy devetë e tij do të mund ta shkelin me thundrat dhe ta kafshojnë me dhëmbët e tyre. Kurdo që njëra prej tyre të kalojë mbi të, tjetra kthehet tek ai, dhe ky mundim do të zgjasë një ditë, gjatësia e së cilës është sa pesëdhjetë mijë vite, derisa të mbarojë gjykimi në mes robërve, dhe kur do t’i tregohet çdokujt rruga për në Xhenet apo Xhehenem.” – Të pranishmit thanë: “O i Dërguari i All-llahut, çfarë do të bëhet me lopët dhe de­let?” – i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha: “Çdo pronar i lopëve ose deleve, i cili nuk i kryen detyrimet e veta ndaj tyre, në Ditën e Gjykimit do të je­të i shtrirë në një vend të rrafshtë nga lopët dhe delet e veta, dhe ato me brirët e tyre do ta therin dhe me thundrat e tyre do ta shke­lin, e në mesin e tyre nuk do të ketë me brinjë të kthyer prapa, apo pa brirë e as me brirë të thyer. Kurdo që të kalojnë të parat, menjëherë pas tyre vijnë dhe kalojnë të tjerat. Dhe kjo do të jetë në një ditë, e cila do të zgjasë sa pesëdhjetë mijë vite, derisa t’u shqiptohen gjykimet robërve dhe derisa të mos u tregohet rruga për në Xhenet apo Xhehenem.” Të pranishmit thanë: “O i Dërgua­ri i All-llahut, si do të veprohet me kuajt?” – Edhe për këtë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, u përgjigjë duke thënë: “Kaloria ndahet në tri lloje: Për dikë do të jetë barrë, për dikë mbulesë dhe për dikë shpëtim. Sa i përket atij, për të cilin është barrë, është ai që i mban kuajt për shkak të namit, kryelar­të­sisë apo garave kundër muslimanëve. Për të tillin kali është barrë. Sa i përket atij, për të cilin është mbulesë, është ai që mban kuaj në rrugën e Allahut, dhe nuk i harron detyrimet ndaj All-llahut dhe kujdeset për ta. Për njeriun e këtillë, kali është mburojë nga zja­rri i Xhehenemit. Sa i përket atij, për të cilin është shpëtim, është ai, që mban kuajt për hir të Allahut dhe muslimanëve, i cili i kullot në livadhe dhe kopshte, gjithë atë që kalorësit dhe kuajt e tyre e hanë në kullosa dhe ara, do të shkruhet aq numër i të mirave. Gjithashtu për çdo shërbim të tyre, të madh dhe të vogël, do të shkruhen të mira. Çdo kalim i distancës dhe hypja mbi një e më shumë lartësira do t’i shkruhen të mira, në numrin e gjurmëve dhe hedhurinave të tyre. Çdo kthim i kalit nga ana e pronarit në lu­menj dhe burime, në të cilat i jep ujë, i shkruhen të mira aq sa herë kali do të pijë ujë.” Të pranishmit i thanë: “O i Dërguari i All-lla­hut, e si do të jetë me gomarët?” – i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha: “Mua nuk më është shpallë asgjë e posaçme për gomarët, përveç ajetit të për­gjithshëm e universal: “Ai që punon mirë, sa grimca e sheh atë. Por, edhe kush punon keq, sa grimca do ta shohë.”[5][6]

    Xhabir ibn Abdullahu-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell në hadithin e Ebu Hurejrës-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, si në vijim:” Çdo person i cili nuk e jep zekatin e pasurisë së tij në ditën e gjykimit ajo do ti bëhet gjarpër helmues, i cili e ndjek nga do që të kthehet, i thuhet: Kjo është pasuria yte për të cilën ishe koprac, kur e sheh se nuk ka çfarë të bën atëherë e fut dorën e tij në gojë dhe e gëlltit ashtu siç bën demi.[7]

    Ebu Hurejra-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thote: i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:” Kujdo që Allahu i jep mall dhe ky nuk e jep zekatin e tij, në ditën e gjykimit ajo do të bëhet gjarpër helmues me dy njolla të zeza mbi sytë e tij, do ta rrethojë qafën e tij dhe do ta kap për faqet e tij dhe do ti thotë: Unë jam pasuria yte, thesari yt. E pastaj lexoj ajetin:” Ata të cilët bëjnë kopraci me atë që nga të mirat e veta u dha Allahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë në koprraci, në ditën e kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. E Allahut i mbesin në trashëgim qiejt e toka, Allahu është i njohur mirë me atë që veproni.” Kurse në një transmetim tjetër qëndron:” Thesari i pasurisë tuaj ditën e gjykimit do të jetë gjarpër helmues, nga i cili do të ik poseduesi i tij, ndërsa ai do ta ndjek dhe do ti thotë: Unë jam thesari yt, pastaj thotë: Për Allahun do ta ndjek derisa ta zgjas dorën e tij dhe ta përbij me gojë.

    Ebu Dheri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: Isha duke e mbri të Dërguarin e Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i cili ishte i ulur nën hijen e Qabes e kur më pa tha:” Ata janë të shkatëruarit pasha Zotin e Qabes!” – Unë iu afrova dhe u ula e pranë tij dhe i thashë:” O i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, babën dhe nënën e flijofshma për ty, kush janë ata? – Tha:”Janë ata të cilët kanë shumë pasuri përpos atij i cili jep në çdo anë para, prapë, djathtas, majtas e këta janë të paktë, çdo pronar i devesë, lopës, dhenve i cili nuk e jep zekatin në ditën e gjykimit ato (kafshët) do tu vijnë më të trasha se sa kanë qen dhe do ti shpojnë me brirët e tyre dhe do ti shkelin me thundrat e tyre, sa e kryen njëra vjen tjetra në radhë kështu veprojnë derisa të gjykohen njerëzia.[8]

    Madje besimtari duhet ta di se atë që e jep nga pasuria e tij si obligim, ajo nuk ia pakëson pasurinë e tij, pasi që ka thënë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të:” Nuk pakësohet malli nga dhënia e sadakasë, Allahu atë i cili fal e bën krenar, e atë që bëhet modest për Allahun, Allahu e ngrit atë.[9]

    Poashtu për atë që jep i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:” Jep apo shpenzo, mos u bën koprac që Allahu të mos të të jep ty, mos grumbullo që Allahu të grumbullon kundra teje.” Kurse në Buhari qëndron me tekst:” Mos u bën koprac që Allahu ty mos të të jap.[10]

    C – Urtësia e dhënies së Zekatit:

    Gjithashtu me anë të zekatit arihet që: të forcohen marëdhëniet ndërmjet të pasurit dhe të varfërit, rruajtja e vetes nga kopracia, shoqëria islame bëhet si një familje e përbashkët, dhënia e zekatit i ndalon krimet në shoqëri, bëhet shkak për zbritjen e mirësive dhe largimin e fatkeqësive, bazuar në hadithin e Abdullah ibn Omerit-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në të cilin thuhet:” Ata të cilët nuk e japin zekatin e pasurisë së tyre ju ndalet shiu nga qielli, sikur mos të ishin kafshët tjera Allahu nuk do të lëshonte shi.[11] Zekati e nxit të varfurin për të bërë mirë ndaj tjerëve, dhënia e zekatit dhe sadakasë është kryerja më e madhe e nevojave të njerëzve dhe ju ndihmon atyre për tu ballafaquar me krizën e rriskut, madje llogaritet si mbuluese në dunja dhe në ahiret ngase ndihmon në kryerjen e nevojave të nëvojtarëve dhe ndihmëse për ata të cilat janë ngushtë dhe në vështirësi. E këtë e dëshmon edhe hadithi i transmetuar nga Aliu-Allahu qoftë i kënaqur prej tij se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu ka detyruar muslimanët e pasur të japin një pjesë nga pasuria e tyre sipas nevojave të të varfërve të tyre. Të varfërit nuk do të vuajnë kurrë nga uria apo mungesa e veshmbathjes, derisa të pasurit të mos e neglizhojnë detyrimim e tyre. Nëse veprojnë kështu, Allahu me siguri do tu kërkoj llogari dhe do ti dënoj ashpër.[12]

    Andaj pas gjithë kësaj mendo mirë se vallë tash e tutje a do ta japësh zekatin apo jo?

    Si përfundim është fjala:”çdo pasuri mall është i Allahut”, andaj jep nga ajo që të ka dhënë Allahu.

    Lutja jonë e fundit është i tërë falemenderimi i takon Allahut Zotit të botrave.

     

    Përgatiti: Nexhat Ceka

     

    [1] Mutefekun alejhi Buhariu nr.8, Muslimi nr.16.

    [2] Bekare:43.

    [3] Teube:34-35

    [4] Ali Imran:180

    [5] Mutefekun alejh Buhariu nr. 1402, Muslimi nr. 987,988

    [6] Zelzele:7-8

    [7] Transmeton Muslimi nr. 28

    [8] Mutefekun alejh, Buhariu nr. 1440, 6638, Muslimi nr. 990

    [9] Transmeton Muslimi nr. 2588

    [10] Mutefekun alejh Buhariu nr. 1433, Muslimi nr. 1029

    [11] Transmeton Ibn Maxhe nr. 4019, Hakimi i cili hadithin e bën të saktë me këtë pajtohet edhe Dhehebiu 4/540, po ashtu Albani e ka bërë të saktë në “Sahih Ibn Maxhe” 2/370

    [12] Transmeton Taberaniu në librin “El-Ausat” dhe “Es-Sagir”

  • RËNDËSIA E NAMAZIT

    RËNDËSIA E NAMAZIT

    Frikojuni Allahut për fenë e juaj në përgjithësi dhe për namazin e juaj në veçanti. Faleni namazin dhe përkujdesuni për të. Faleni me frikërespekt dhe me qetësi shpirtërore. Faleni atë në xhemat dhe nëpër xhami dhe përkujdesuni për të sinqerisht për arsye se ai është shtyllë e fesë dhe adresa e lumturisë. Namazi është drita e juaj në tokë, thesari i juaj në qiell dhe ndihma e juaj gjatë vështirësive në jetë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz!”. (El-Bekare: 45) dhe “ Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe”. (El-Ankebut: 45) Namazi ishte gëzimi i syve të Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe streha e tij gjatë vështirësive dhe pushimi i tij gjatë lodhjeve. Namazi është shtylla e dytë prej shtyllave të Islamit dhe është lidhja direkte mes robit dhe Allahut dhe shenja dalluese mes kufrit dhe imanit.

    Namazi në Islam peshon rëndë dhe pozita e tij tek Allahu është e lartë. Për këtë arsye kushtoni rëndësi të madhe dhe kryeni me besnikëri dhe faleni të plotë. Ai që e falë i përkushtuar dhe të plotë do të shpërblehet, kurse ai që vjedh prej tij dhe e falë të mangët dyshohet se a do t’i pranohet. Falësi prej namazit të tij fiton hise aq sa ka qenë i përkushtuar në të kurse namazi që falet shpejt nuk pranohet.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se i Dërguari i Allahut hyri në xhami dhe pas tij hyri një burrë i cili, pasi u fal, shkoi dhe e përshëndeti Pejgamberin, alejhi salatu ue selam. Ai, alejhi salatu ue selam, ia ktheu përshëndetjen dhe i tha: “Kthehu dhe falu prapë sepse nuk je falur”. Personi u kthye dhe u fal përsëri ashtu siç u fal herën e parë, pastaj u kthye dhe e përshëndeti Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, i cili përsëri i tha: “Kthehu dhe falu prapë sepse nuk je falur”. Kjo gjë vazhdoi tri herë. (Pas gjithë kësaj) ai tha: “(Betohem) për Atë i Cili të ka dërguar ty me të vërtetën! Unë nuk mund të falem më mirë se kështu! (Të lutem) më mëso pra!” Nga kjo Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tha: “Kur të ngrihesh e të vendosësh për të falur namaz shqipto tekbirin (fjalët Allahu Ekber – Allahu është më i Madhi, për fillimin e namazit), pastaj këndo ç’është më e lehtë për ty (që di përmendësh nga Kur’ani, pastaj përkulu në ruku dhe rri sa të ndihesh i qetësuar (në këtë gjendje), pastaj ngrije kokën dhe qëndro drejt në këmbë, pastaj bjer me fytyrë për tokë në sexhde dhe rri sa të ndihesh i qetësuar (në këtë gjendje), pastaj ulu dhe rri i qetësuar (dhe mos u ngut për në sexhden e dytë). Kështu pra vepro gjatë gjithë faljes tënde (në çdo veprim rri sa të ndihesh i qetësuar në atë gjendje që je).

    Ky hadith është argument i qartë se namazi nuk lejohet që të falet shpejtë dhe se në të kërkohet që gjatë çdo lëvizje falësi të jetë i qetë dhe të mos ngutet. Qetësimi në namaz pra është prej shtyllave të namazit dhe pa të namazi nuk është i vërtet.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ndaloi që falësi ta vonojë namazin e tij deri në namazin tjetër pa arsye dhe në fund prej frike se do t’i ikë namazi të ngrihet dhe ta falë atë shumë shpejt dhe na paralajmëroi se ky lloj i namazit i përngjan atij të hipokritëve. Ai, alejhi salatu ue selem, thotë: “Ai (namazi i shpejtë) është namazi i hipokritëve, ulet ndonjëri prej tyre derisa të skuqet dielli (afër perëndimit), ku në këtë kohë është mes dy brirëve të shejtanit, pastaj ngrihet dhe i falë shpejtë katër rekate, në të cilat nuk e përmend Allahun vetëm se pak”.

    Edhe mosfalja e namazit në xhemat është një prej vetive të tyre. Prej vetive tjera të tyre janë edhe cilësitë që ua cek Allahu në Kur’an: “Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak”. (En-Nisa: 142) Ibën el Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë se këto gjashtë cilësi në namaz janë prej vetive të hipokritëve: ngritja me përtesë për në namaz, shtirja në faljen e tij vetëm sa për të dukur para njerëzve, vonesa e tij, nxitimi në faljen e tij, mos përmendja e Allahut në namaz shumë dhe mosfalja në xhemat.

    Ebu Abdullah el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, u fal me shokët e tij dhe pastaj u ul me një grup prej tyre. Ndërkohë, hyri një njeri dhe filloi të falet. Në namazin e tij filloi të bëj lëvizje të shpejta. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, tha: “A e shikoni këtë? Kush vdes kështu, vdes në fe jo të Muhamedit. Ky e fal namazin ashtu siç bën korbi”.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, vjedhjen në namaz e bëri nga krimet më të mëdha të vjedhjes madje më të madhe se atë të pasurisë. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Vjedhësi më i keq është ai i cili vjedh në namaz”. Të pranishmit të çuditur e pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Si vjedh njeriu në namaz?”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, iu përgjigj: “Nuk e plotëson rukunë dhe sexhden”. Padyshim se vjedhësi në fe është më i keq se sa vjedhësi i dynjasë.

    Një prej gabimeve të mëdha në namaz është edhe paraprimi i imamit në ruku, sexhde, ulje dhe ngritje. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ka namaz ai që e paraprin imamin”. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “A nuk ka frikë ndokush prej jush, që e ngre kokën para imamit, se mos Allahu ia shndërron kokën në kokë gomari, apo t’ia shndërrojë fizionominë në fizionomi gomari?”.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, rrëfen se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Imami nuk është caktuar veçse për t’u pasuar, ndaj mos e kundërshtoni atë. Kur ai të thotë “Allahu Ekber”, edhe ju thoni “Allahu Ekber”, kur të bëjë rukunë, edhe ju bini në ruku. Kur të thotë “Semi Allahu limen hamideh”, ju thoni: “Allahume rabena lekel hamd”. Kur të bjerë në sexhde, edhe ju bini në sexhde. Nëse ai falet ulur, edhe ju faluni ulur të gjithë”.

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë se fjala e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, “Kur ai të thotë “Allahu Ekber”, edhe ju thoni “Allahu Ekber”, e ka për qëllim prite imamin derisa të thotë Allahu Ekber, kur ta përfundojë atëherë ju thoni Allahu Ekber.

    Shumë njerëz nuk i dinë këto hadithe dhe shpesh gabojnë në namazin e tyre. Të gjitha veprimet në namaz duhen të veprohen dhe të shqiptohen pasi t’i thotë apo veprojë imami dhe nuk lejohet as të vonohemi e as ta paraprijmë. Dihet se xhemati nuk përfiton asgjë nëse e paraprin imamin mirëpo shejtani i mashtron dhe i nxit që ta paraprijnë imamin dhe me këtë t’ua prish namazin e tyre.

    O muslimanë, frikojuni Allahut dhe kujdesuni për faljen e namazit. Namazi është porosia e fundit e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, që e porositi umetin e tij. Umu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcillet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, në sëmundjen e rëndë, për shkak të së cilës ndërroi jetë, thoshte: “Kujdesuni për namazin dhe robëreshat (të cilat i keni nën sundimin tuaj)!”. Këto fjalë i përsëriste derisa ia dorëzoi shpirtin Allahut të Madhëruar. Namazi është adhurim i cili u urdhërua në qiell, është gjëja e parë për të cilën do të llogaritet njeriu Ditën e Kiametit dhe është gjëja e fundit që do të humbet nga feja, sikur që ka treguar i Dërguari, salallahu alejhi ue selem: ”Do të shkëputen hallkat e Islamit një nga një, sa herë që do të shkëputet një hallkë, njerëzit do të kapen për tjetrën, hallka e parë që shkëputet është gjykimi, e fundit është namazi”.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve), të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marr dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht”. (El-Mu’minun: 1-11)

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    https://www.youtube.com/watch?v=xx94XXyQJEI

  • PËRQENDRIMI NË FE

    PËRQENDRIMI NË FE

    Allahu, azze ue xhel, na njoftoi se Kur’anin e zbriti për të përsiatur dhe për të vepruar me të: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kur’anin apo i kanë zemrat të kyçura?!”. (Muhamed: 24) Prandaj, duke iu bazuar këtij ajeti kur’anor në vazhdim me lejen e Allahut do të përsiasim një ajet prej ajeteve të Kur’anit me qëllim që të nxjerrim mësime të dobishme prej tij.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë”. (Fusilet: 30-32)

    Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, kur e komenton thënien e Allahut: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë”, thotë: “Allahu në ajet i ka për qëllim ata që i vepruan veprat me sinqeritet për Allah dhe adhurimet ia përkushtuan vetëm se Atij sipas ligjeve të cilat i caktoi vetë Ai”.

    Zuhriju, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur ishte në mimber e lexoi këtë ajet e pastaj tha: Përqendrohuni në rrugë të drejtë duke e adhuruar Allahun me sinqeritet dhe mos i bëni dredhitë e dhelprës”.

    Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Sufjan ibën Abdullah Thekafijut, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili kishte thënë: “O i Dërguar i Allahut, më thuaj në Islam një fjalë që të mos pyes për të askënd pas teje?” Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tha: ”Thuaj besova Allahun, pastaj ndiq rrugën e drejtë”.

    Robi nuk mund të jetë i përqendruar në rrugë të drejtë derisa veprat, thëniet dhe dëshirat e tij nuk janë në përputhshmëri me atë çka e ligjësoi Allahu dhe me atë çka erdhi Muhamedi, alejhi salatu ue selam. Allahu, azze ue xhel, thotë: Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar. Ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty”. (Hud: 112) Allahu në ajet thotë përqendrohu në rrugë të drejtë “ashtu siç je i urdhëruar”, dhe nuk thotë përqendrohu sipas dëshirave të tua. Pra, i udhëzuar realisht konsiderohet ai që ndjehet krenar në vete dhe ecën ballëlart në rrugën e drejtë: A është më i udhëzuar ai që ec i përmbysur me fytyrë në tokë, apo ai që ec në pozicion qëndrues rrugës së drejtë?”. (El-Mulk: 22)

    Thënia e Allahut: do t’u zbresin engjëjt” komentohet se njerëzve do tu zbresin melekët para vdekjes dhe atyre që ishin të përqendruar në fe do tu thonë: “mos u frikësoni” prej asaj çka do t’ju paraprijë prej çështjeve të ahiretit. Ahiretin e paraprijnë shumë tmerre dhe gjendje të vështira duke filluar këtu prej varrit dhe errësirës së tij, vetmisë së tij, shtrëngimit të tij, sprovës në të, pastaj fryrjes në Sur, vendqëndrimet e Ditës së Kiametit, kalimi nëpër Sirat, matja e veprave në Peshore, etj. Të gjitha këto tmerre e frika dhe gjendje të vështira Allahu do t’ua lehtësojë atyre që ishin të përqendruar në fenë e Tij.

    Thënia e Allahut: “dhe mos u pikëlloni” komentohet mos u pikëlloni për atë që e latë në dynja, prej familjes, fëmijëve, pasurisë, se Ne do të jemi kujdestar i tyre.

    Pastaj Allahu i përgëzon me shkuarjen e sherrit dhe ardhjen e mirësisë duke iu thënë: “Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar”. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, në Musnedin e tij e shënon një hadith nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Melekët prezantojnë në momentin e vdekjes dhe nëse njeriu ka qenë i mirë, thonë: ‘‘Dil o ti shpirt i mirë, ke qenë në trup të mirë. Dil falënderues dhe gëzoju aromës, bukurisë dhe Zotit Mirënjohës e jo Zemërues”.

    Ibën Ebi Hatim, Allahu e mëshiroftë, transmeton nga një prej selefit se filloi ta lexojë suren Fusilet prej fillimit derisa kur arriti tek ajeti “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt”, u ndal dhe tha: Na është përcjellë se Allahu kur do ta ringjall besimtarin prej varrit të tij do ta takojë me dy melekët që e shoqëronin në dynja dhe do t’i thonë mos u friko dhe mos u pikëllo. Allahu atë ditë do ta sigurojë prej frikës dhe do t’ia kënaqë syrin, ndërsa të gjithë të tjerët do të jenë të frikësuar.

    Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Kur vjen meleku i vdekjes që t’ia merr shpirtin besimtarit i thotë: Zoti yt të dërgon selam”.

    Muhamed ibën Kab thotë: “Meleku i vdekjes i thotë besimtarit: O ti mik i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi ty, Allahu ty të dërgon selam, e pastaj lexoi ajetin: Të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat, duke qenë të pastër. U thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!”. (En-Nahl: 32)

    Zejd ibën Eslem thotë: “E përgëzojnë melekët në momentin e vdekjes së tij, në varrin e tij dhe në momentin kur do të ringjallet”. Ibën Kethiri thotë se kjo thënie është shumë më e mirë, i bashkon të gjitha thëniet dhe kjo është realiteti.

    Thënia e Allahut: Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër” komentohet se melekët do t’u thonë besimtarëve në momentin e vdekjes: Ne ishin miqtë dhe shokët e juaj në dynja që ju përkrahnim dhe kujdeseshim për ju me urdhrin e Allahut dhe po ashtu do të jemi me ju në ahiret, do t’jua largojmë vetminë e varrit dhe ditës kur fryhet në Sur, do t’ju mbrojmë në ditën e Ringjalljes dhe Llogarisë, do t’jua lehtësojmë kalimin e urës së Siratit dhe do t’ju dërgojmë e shoqërojmë deri në Xhenetin e Allahut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ndërsa ata të cilëve u ka prirë mirësia Jonë qysh më parë, do të jenë larg nga Xhehenemi. Ata nuk do të dëgjojnë fërshëllimën e tij dhe do të qëndrojnë përherë në atë që u ka dëshiruar shpirti i tyre. Ata nuk do t’i brengosë tmerri më i madh dhe engjëjt do t’i presin (duke u thënë): “Kjo është dita juaj e premtuar”. (El-Enbija: 101-103)

    Thënia e Allahut:Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni” komentohet se besimtarët në Xhenet do të kenë çdo gjë që e dëshirojnë shpirtrat e tyre dhe u kënaqen sytë e tyre edhe atë sa herë që e kërkojnë do tu sjellët para duarve të tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “(Allahu do t’u thotë): “O robërit e Mi, për ju sot nuk ka frikë dhe as që do të pikëlloheni. Ju që keni besuar shpalljet Tona dhe keni qenë myslimanë, hyni në Xhenet të gëzuar, ju dhe bashkëshortet tuaja, ku do t’ju shërbehet me pjata dhe gota prej ari. Aty do të ketë çfarë t’ju dojë shpirti dhe gjithçka që ta kënaq syrin dhe atje do të qëndroni përgjithmonë”. (Ez-Zuhruf: 68-71)

    Dhe thënia e Allahut: “dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë”, komentohet se të gjitha begatitë që do t’i fitoni në Xhenet janë dhuratë dhe begati prej Zotit i cili i fali mëkatet e juaja, ishte i mëshirshëm dhe i butë ndaj jush, i fali gjynahet e juaja dhe i mbuloi ato.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu, azze ue xhel, thotë: ”Kam përgatitur për robërit e drejtë atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe as që e ka paramenduar zemra e njeriut”. Ebu Hurejra thotë: Për këtë çështje mundeni të lexoni edhe në Kur’an: Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë. (Es-Sexhde: 17)

    Prej ajeteve fisnike të cilat i përsiatëm mund t’i nxjerrim disa dobi:

    1. Besimi dhe përqendrimi në fe janë dy shkaqe për hyrjen në Xhenet.
    2. Melekët e përgëzojnë besimtarin në momentin e vdekjes, në varrin e tij, në Ditën e Kiametit dhe para dyerve të xhenetit. Allahu i Lartësuar thotë: “Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit) (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” (Er-Rad 23-24)
    3. Punëtori duhet të përgëzohet me shpërblimin që e meriton, për shkak se kjo ia shton më tepër aktivitetin. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Jepu lajm të mirë besimtarëve (se do fitojnë Xhenetin)”. (El-Bekare: 223)
    4. Besimtarët futen në Xhenet me meritën dhe mëshirën e Allahut, e jo si rezultat i veprave të tyre.

    Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, e shënon një hadith prej Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ue selem, të thotë: Askënd nuk e fusin në Xhenet punët e veta”. Shokët e pyetën: “As edhe ty, o i Dërguari i Allahut?!” Ai u përgjigj: “Jo, as mua, në qoftë se Allahu nuk më dhuron Mirësinë dhe Mëshirën e Tij”.

    1. Besimtarët kur do të hyjnë në Xhenet do të marrin prej begative të tij çka tu dëshirojnë shpirtrat dhe çka do t’i kënaq sytë e tyre, madje do tu jepet edhe një tepricë e ajo është shikimi i Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë”. (Kaf: 35) dhe “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër”. (Junus: 26)

    E lus Allahun të na bën dobi mua dhe ju me udhëzimin e Kur’anit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

    Dr. Emin ibën Abdullah Esh Shekaui

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline