Category: Lajme

  • Refugjati sirian realizoi ëndrrën duke u bërë mjek në Turqi

    Duke braktisur shkollën e mjekësisë kur iku nga lufta civile në atdhe, një refugjat sirian arriti ëndrrën e tij në Turqi duke u bërë mjek, raporton Anadolu Agency (AA).

    Ibrahim Şaban u largua nga Siria për në Turqi në vitin 2013 për shkak të luftës civile, në kohën kur ishte duke studiuar mjekësi në Universitetin e Halepit.

    Në Stamboll, ai kaloi me sukses provimin pranues për studentë të huaj në vitin 2014 dhe u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Sakarya të Turqinë veriperëndimore.

    I diplomuar nga universiteti vitin e kaluar, Şaban u shërben pacientëve në shërbimin e urgjencës pandemike të Spitalit të Trajnimit dhe Kërkimit në Sakarya.

    E gjithë bota e njeh mikpritjen turke, thotë ai, duke lavdëruar njerëzit miqësorë dhe të dobishëm.

    “Turqia përqafon refugjatët dhe kjo tregon qasjen humanitare dhe të dhembshur të këtij kombi. Është shumë humanitare të jesh në gjendje të ndihmosh dikë në nevojë ose në një situatë të vështirë. Ju me të vërtetë nuk mund ta gjeni këtë kudo në botë”, shtoi ai.

    “Është detyra jonë të ndihmojmë cilindo me probleme shëndetësore, pavarësisht kombësisë së tyre. Unë e bëj këtë në Turqi dhe kjo më bën më të lumtur sepse Turqia më ndihmoi të bëhem mjek”, tha ai.

    Siria është përfshirë në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad goditi protestat pro-demokratik me një egërsi të papritur.

    Turqia strehon rreth 3,6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë.

  • Kosovë, KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Certifikimi i rezultateve që erdhi një ditë pas vendimit të Gjykatës Supreme rreth ankesave për procesin zgjedhor, ka ndryshuar edhe përqindjet e subjekteve politike.

    Sipas rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar 50.28 për qind, apo 438.335 vota, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 17 për qind apo 148.285 vota, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 12.73 për qind apo 110.985 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 7.12 për qind apo 62.111 vota, Lista Serbe (LS) ka 5.09 për qind apo 44.407 vota, ndërsa partitë tjera nuk kanë arritur ta kalojnë pragun zgjedhor.

    Sipas renditjes së vendeve në parlament, LVV ka siguruar 58 deputetë, PDK 19 deputetë, LDK 15 deputetë, AAK 8 deputetë, LS ka siguruar 10 vendet e rezervuara për minoritetin serb, ndërsa nga minoritetet tjera Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka siguruar 2 deputetë dhe nga 1 deputetë kanë siguruar Koalicioni Vakat, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Iniciativa Rome, Partia Demokratike e Re, Unioni Socialdemokrat, Partia Unike Gorane, Partia e Ashkalinjëve për Integrim dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

    Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha në fillim të mbledhjes se KQZ-ja ka arritur të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e zgjedhjeve, pavarësisht sfidave me të cilat është përballur nga koha e shkurtër e organizimit dhe pandemia.

    Sipas KQZ-së pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 48,87 për qind apo mbi 800 mijë votues.

    Pas certifikimit të rezultateve tani i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja në vend, ku ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani pritet të thërrasë seancë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

  • Arabia Saudite shkarkon ministrin e Haxhit

    Ministri i Haxhit dhe Umres i Arabisë Saudite, Muhammad Saleh bin Taher Benten, është shkarkuar nga posti, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Agjencia shtetërore saudite e lajmeve raportoi se sipas urdhrave të lëshuar nga mbreti saudit, Muhammad Saleh bin Taher Benten do të zëvendësohet nga Essam bin Saad bin Saeed, i cili po ashtu do të vazhdojë punën si ministër i shtetit dhe anëtar i Këshillit të Ministrave.

    Mbreti Salman bin Abdulaziz gjithashtu ka emëruar Shejh Ali al-Saawi si kryetar i Gjykatës së Lartë Administrative në gradën e një ministri.

    Një tjetër ndryshim u bë në Autoritetin e Aviacionit Civil, ku Shejh Abdul Aziz al-Duaij do të pasojë Sheik Abdul Hadi al-Mansuri si kryetar.

  • Çmohet lartë kontributi 29-vjeçar i Sabri ef. Bajgorës si kryeimam

    Ish-kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, tashmë drejtor i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri ef. Bajgora ka mbajtur takim me kryeimamët e Këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës.
    Në këtë takim përshëndetës, Bajgora u falënderua dhe u çmua lartë kontributi dhe profesionalizmi i tij i dëshmuar ndër vite.

     

  • Kosovë, shënohet 40 vjetori i demonstratave të studentëve shqiptarë në vitin 1981

    Me rastin e 40 vjetorit të demonstratave të marsit të viti 1981 të organizuara nga studentët shqiptar në ish-Jugosllavi, është mbajtur konferenca shkencore “Demonstratat e vitit 1981 – Sinjalizimi i Botës për shkeljen e të drejtave të njeriut në Jugosllavi”, raporton Anadolu Agency (AA).

    Konferenca e cila u organizua në Bibliotekën Kombëtare nga Instituti Shkencor Kosovaro-Suedez dhe Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, kishte për qëllim shpalosjen e ngjarjeve paraardhëse dhe pasardhëse si dhe vetë qëllimin e protestave të vitit 1981 dhe jehonën që bëri kjo ngjarje në botë.

    Në fjalën e saj hyrëse, drejtoresha e Institutit Shkencor Kosovaro-Suedez, Salihe Salihu, theksoi se demonstratat e vitit 1981 ishin një ngjarje historike që përcaktoi dhe drejtoi rrugën e nevojshme për popullin shqiptar në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në kërkim të të drejtave të tyre brenda Jugosllavisë.

    “Demonstruesit paqësorë u ngritën me mjete paqësore por kundër tyre u ushtrua një dhunë, u ushtrua një gjenocid me të cilën u deshën dy dekada të luftojnë dhe të bëjnë përpjekje për ta finalizuar kërkesën e vet për Republikën dhe tashmë shtetin e pavarur”, tha Salihu.

    Historiani Ibrahim Gashi, në fjalën e tij përmendi disa nga studiuesit dhe gazetat e atëhershme të cilët kishin shkruar dhe reaguar për ngjarjet paraardhëse dhe pasardhëse që lidheshin me të drejtat e shqiptarëve dhe demonstratat e vitit 1981.

    Ai tha se kjo demonstratë ishte evoluim i natyrshëm që erdhi në radhë të parë si rezultat i ngritjes së emancipimit të përgjithshëm dhe pjesëmarrjes shumë më të madhe të shqiptarëve në jetën institucionale dhe ekonomike të vendit.

    “Demonstratat e studentëve shqiptarë të Kosovës duhet parë edhe nga një dimension tjetër. Pra, si pikënisje e një lëvizjeje erozive për shpërbërjen e Jugosllavisë federale dhe të një fryme nacionaliste për krijimin e shteteve të pavarura kombëtare, apo siç do ta konsiderojë akademik Rexhep Qosja: Parathënie të ngjarjeve që do të sjellin ndryshime historike, krizën e ideologjisë komuniste dhe në fund përmbysjen e saj, krizën e federalizmit jugosllav dhe në fund shpërbërjen e saj, krizën Ballkanike dhe në fund rindërtimin e një rendi të ri politik e shtetëror”, theksoi Gashi.

    Sipas Gashit, Kosova në kohën kur nisën demonstratat sapo kishte dalë nga faza e analfabetizmit të lartë në popull dhe tanimë “nuk kishte familje pa një student apo të punësuar në sektorin publik”, gjë e cila ndikoi në zëvendësimin e elitës shqiptare të vjetër me një të re e cila punoi më shumë për afirmimin e vlerave kombëtare.

    Në 11 marsin e vitit 1981 studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës organizuan një demonstratë masive, si përgjigje kundër dhunës që u përdor për të shtypur protestat spontane të studentëve, ku ata kërkonin trajtim dinjitoz dhe ushqim, në mensën e studentëve, në datën 4 mars 1981.

    Edhe më 4 mars por edhe më 11 mars, shërbimi policor jugosllav pas intervenimeve brutale ndaj studentëve të revoltuar paraburgosi një numër të madh studentësh shqiptar, ndërsa kishte edhe të vrarë.

    Shqiptarët nga krahina të ndryshme në ish-Jugosllavi i dhanë mbështetje të madhe demonstratave të nisura nga studentët, të cilat vazhduan edhe më 26 mars si dhe në fillim të prillit 1981. Ata u përkrahën nga shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe me profesione të ndryshme, ku më pas kërkesave për dinjitet në kushtet e trajtimit të studentëve dhe për ndaljen e dhunës policore, shtuan edhe kërkesën për të drejta politike të shqiptarëve.

  • Shkollë për baresha në fshatrat e Spanjës

    Shkollë për baresha në fshatrat e Spanjës

    Shtegtimi dhe kullota e bagëtive qysh prej kohëve që nuk mbahen mend, kanë qenë nën zotërimin ekskluziv të burrave. Por tani një iniciativë e re në Spanjë po kërkon ta ndryshojë atë me ngritjen e një shkolle për baresha.

    “Shkolla për Çobaneshat e Shekullit 21” është një risi në Spanjë dhe në mbarë botën dhe qëllimi i saj është i dyfishtë: t’u ofrojë grave një terren në një tregti të mbizotëruar prej burrave, por edhe t’u hedhë një litar shpëtimi mijëra qyteteve spanjolle që ngadalë po zhduken nga harta për shkak të shpopullimit.

    “Ka pasur iniciativa edhe herë të tjera për çobanesha”, thotë Susana Pacheco, forca lëvizëse e shkollës së re, me seli në rajonin verior të Cantabria. “Por ndryshimi është se ne e kemi menduar këtë nga perspektiva e grave. Këtu bëhet fjalë për ekuilibrin punë-jetë, duke krijuar rrjete të mbështetjes dhe bashkëpunimit reciprok”, thotë ajo.

    Projekti po nis nën siglën e Shoqatës Spanjolle Kundër Shpopullimit, një organizatë kombëtare që punon për të forcuar perspektivat e zonave ku popullsia po bie.

    Fokusi i shkollës tek gratë lindi pasi u pa se ishin pikërisht gratë që po braktisnin zonat rurale më shumë se burrat, duke lënë pas tyre një popullsi të plakur. “Fshatrat po mashkullizohen. Dhe ky është një hap i rëndë prapa”, thotë Lidia Díaz, nga Shoqata Spanjolle Kundër Shpopullimit.

    Kursi nëntëmujor për baresha përfshin gati 500 orë trajnim në internet dhe një fundjavë në muaj me udhëzime praktike të zbatuara në malet dhe luginat e thella të Cantabrias. Menjëherë pas nisjes së projektit, pati rreth 265 aplikime. Shkolla është aktualisht në proces të zgjedhjes së 30 studentëve që do të jenë pjesë e sesionit të saj të parë, me datën e fillimit të kursit ende për t’u saktësuar. /gsh/

  • Normalizimi i ngadalshëm në Arabinë Saudite shtyn Umren pas Festës së Bajramit

    Autoritetet e Arabisë Saudite kanë shtyrë Umren pas festës së Fitër Bajramit të këtij viti për shkak të një ritmi më të ngadaltë të normalizimit nga koronavirusi i ri (COVID-19), njoftuan zyrtarët turq, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Festa e Bajramit pason muajin e shenjtë musliman të Ramazanit, i cili këtë vit përfundon në mes të majit.

    Drejtoria e Çështjeve Fetare të Turqisë lëshoi një deklaratë në përgjigje të pyetjeve të shumta nga publiku rreth Haxhit dhe Umres së këtij viti, pasi ato u anuluan vitin e kaluar për shkak të pandemisë së COVID-19.

    Më tej në deklaratë theksohet se negociatat me Ministrinë e Haxhit dhe Umrës të Arabisë Saudite për 2021 janë duke vazhduar dhe se çdo vendim që do të merret do të bëhet publik.

  • Ngrohja globale mund të paraqesë rrezik për Haxhin dhe Umren

    Nëse ngrohja globale tejkalon 1,5 gradë celsius, haxhinjtë mund të ekspozohen ndaj rrezikut të stresit të nxehtësisë gjatë periudhave të Haxhit dhe Umres që korrespondojnë me muajt e verës, bëri të ditur një artikull, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Artikulli i titulluar “Nga Parisi në Mekë: Stresi i Nxehtësisë Krijon Rrezik për Haxhinjtë Muslimanë” i përgatitur nga shkencëtarët e Climate Analytics, dhe i cili është studimi i parë që tregon rrezikun e ekspozimit ndaj stresit të nxehtësisë për muslimanët në Arabinë Saudite ku temperatura arrin në 45 gradë në muajt e verës.

    Në artikull, u vlerësua se sa shpesh temperatura do të tejkalonte pragjet “e rrezikshme” dhe “jashtëzakonisht të rrezikshme” gjatë periudhave pesë-ditore në verë, me matjet e “termometrit të llambës së lagur”, që merr parasysh temperaturën dhe lagështinë dhe është një tregues i stresit të nxehtësisë që përdoret zakonisht për të matur shqetësimin e njerëzve. Në këtë kontekst, janë përdorur kriteret e Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA-së, të cilat përcaktojnë pragjet “e rrezikshme” dhe “jashtëzakonisht të rrezikshme”, përkatësisht 24,6 dhe 29,1 gradë.

    Sipas kësaj, periudhat pesë-ditore që tejkalojnë pragun jashtëzakonisht të rrezikshëm u vu në pah se kishin më shumë mundësi të ndodhnin në shtator. Gjithashtu parashikohet që nëse ngrohja globale rritet me 1,5 gradë, mundësia që temperatura e ajrit të tejkalojë pragun jashtëzakonisht të rrezikshëm do të jetë 4 herë, dhe nëse ngrohja arrin 2 gradë, do të jetë 13 herë më shumë.

    Në studim, u llogarit që gjatë gjithë shekullit 21, haxhi do të korrespondojë me muajt e verës tre herë në periudha 10-vjeçare.

    – Kufizimi i ngrohjes globale në 1,5 gradë do të përgjysmojë rrezikun

    Autori kryesor i studimit dhe Kreu i Modelit Shkencor dhe të Dhënave i Climate Analytics, Dr. Fahad Saeed, duke deklaruar se stresi i nxehtësisë përbën një rrezik për haxhinjtë, tha se, kufizimi i ngrohjes globale në 1,5 gradë, siç u angazhuan qeveritë në Marrëveshjen e Parisit, do ta përgjysmojnë këtë rrezik.

    Ndërsa Drejtori i Departamentit të Meteorologjisë së Qendrës së Ekselencës për Studime të Ndryshimeve Klimatike dhe bashkëautor i studimit, Prof. Mansour Almazroui deklaroi se, “Teksa kushtet e verës gjithnjë bëhen më ekstreme, tashmë paraqesin një rrezik serioz për haxhinjtë që vizitojnë Mekën”.

    Sipas tij ndryshimi thelbësor midis 1,5 gradë dhe 2 gradë të ngrohjes në goditje të nxehtësisë që kanë demonstruar në studim, do të tregojë veten verën e ardhshme dhe do të vazhdojë në vitin 2047 dhe më tej.

    “Studimi ynë thekson rëndësinë e reduktimeve të rrepta të emisioneve për të kufizuar ngrohjen globale në 1,5 gradë, në mënyrë që të mbrojë njerëzit nga ndikimet e rrezikshme për jetën sa më shumë që të jetë e mundur dhe për të minimizuar dëmtimin e një nga shtyllave kryesore të Islamit”, u shpreh ai.

     

     

    Sipas të dhënave nga platforma globale e të dhënave Statista, 2,5 milionë persona kryen haxhin në vitin 2019. Ndërsa numri i atyre që shkuan në Umre në Ramazan në të njëjtin vit ishte 4,2 milionë.

  • Prindërit s’presin nga Komuna e Prishtinës, angazhohen për rregullimin e shkollës “Faik Konica”

    Prindërit s’presin nga Komuna e Prishtinës, angazhohen për rregullimin e shkollës “Faik Konica”

    Angazhimi i prindërve ka lehtësuar dhe rregulluar gjendjen në shkollën fillore “Faik Konica” në kryeqytet, ku fal kësaj janë realizuar një sërë projektesh pa ndihmën e Komunës së Prishtinës.

    Pajisja me laptopë, rinovimi i tualeteve, vendosja e kamerave në të gjitha pjesët e shkollës, ndërtimi i këndeve të leximit, janë ndër disa investime që ka përfituar kjo shkollë si rrjedhojë e angazhimit të prindërve për të gjetur donatorë për të përmirësuar mirëqenien e nxënësve.

    Jehona Oruqi, drejtoresh në “Faik Konica”, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se në këtë shkollë ekziston një trekëndësh funksional e konstruktiv në mes mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve.

    Tutje, Oruqi tha se Këshilli Drejtues me përfaqësuesit e prindërve kanë kontribuar në përgatitjen ë gjitha proceseve për të filluar mësimin me prezencë fizike në shkollë.

    “Bashkëpunimi me prindërit në shkollën tonë është i nivelit shumë të lartë që do të thotë se punon, funksionon trekëndëshi mësimdhënës-prindër-nxënës. Gjatë periudhës së parapërgatitjeve për fillimin e mësimit në shtator, Këshilli Drejtues me përfaqësuesit e prindërve dhe po ashtu të mësimdhënësve, kanë kontribuar në përgatitjen ë gjitha proceseve për të filluar mësimin me prezencë fizike në shkollë. Është bërë fillimisht intervenimi në tualete të shkollës, të cilat janë rinovuar në tërësi, gjithashtu janë pajisur klasat me internet, po ashtu me laptopë që mundëson mësimin sipas skenarit B në shkollën tonë.

    Është intervenuar edhe në sistemin e kamerave që do të thotë janë furnizuar, janë punuar këndet e ndryshme brenda shkollës që kanë për qëllim relaksimin e nxënësve e shumë gjërat e tjera që kanë ndihmuar procesin që shkolla të jetë një rikthim sa më i sigurt për nxënësit, po ashtu edhe atraktiv. Unë jam shumë falënderuese për këta akterë që bashkëpunimin në çdo moment kur ne kemi kërkuar kanë qenë të gatshëm dhe ende vazhdojnë të jenë të gatshëm të ndihmojnë në proceset e shkollës”, tha ajo.

    Përderisa sipas rregullores arsimore mbledhjet me prindërit janë obligative që të mbahen dy herë në vit, në shkollën “Faik Konica” ato mbahen më shpesh.

    “Por ne kemi Këshilli drejtues që janë përfaqësuesit e prindërve në këtë këshillë është nga radhët kemi edhe Këshillin e prindërve, mbledhjet janë obligative dy herë ne vit, por ne si shkollë ndonjëherë edhe më shpesh realizojmë mbledhje me prindërit. Sa herë që është  nevojshme bashkëpunimi në vazhdimësi gjatë tërë kohës së pandemisë ka qenë prezent për gjë të cilën jam shumë falënderuese”, tha Oruqi për Ekonomia Online.

    Tutje, ajo thotë se Komuna e Prishtinës e vlerëson bashkëpunimin që kanë stafi i shkollës me prindërit.

    “Shkolla jonë realizon mësimin sipas dy skenarëve, për ciklin e ulët është skenari A, ndërsa për ciklin e lartë është skenari B. Vështirësi nuk është që kemi hasur shumë, pasi që shkolla jonë, falë bashkëpunimit me prindër, gjithsesi që kemi pasë bashkëpunim edhe me komunën edhe janë mjaftë mirë të informuar që në të njëjtën kohë edhe ata janë falënderues për bashkëpunimin që ka shkolla “Faik Konica” me prindër, mund të themi se shquhemi si shkollë për mobilizim te gjithë akterëve në mënyrë që të realizojmë procesin mësimor sa ma mirë që është e mundur. Gjatë periudhës së verës në vazhdimësi Këshilli Drejtues i shkollës edhe mësimdhënësit kanë punuar dhe kanë planifikuar sesi të fillojë procesi mësimor në shtator në formë fizike në shkollë. Gjithashtu edhe komuna e Prishtinës ka ndihmuar dhe lehtësuar procesin duke na furnizuar me të gjitha pajisjet për dezinfektim, për mbajtje të distancës e gjërat të tjera që e kanë ndihmuar procesin”,

    Kur Kushtrim Demiri është kthyer pas 20 vjetëve për ta regjistruar për herë të parë fëmijën e tij në shkollën “Faik Konica”, është ballafaquar me të njëjtën gjendje që ka qenë kur ai ishte duke përfunduar arsimimin e ultë.

    Demiri nuk është pajtuar me gjendjen që e ka gjetur shkollën.

    Tani kryetar i Këshillit Drejtues i shkollës, thotë se në bashkëpunim me prindërit dhe donatorët kanë realizuar afër 50 projekte në rregullimin e kushteve të shkollës.

    “Së pari kur kemi ardh këtu në shkollë, kur e kam regjistrua për herë të parë fëmijën, nuk jam pajtua me gjendjen që e kam gjet shkollën. Mas 20 vjetëve kam menduar se kanë ecë gjërat përpara edhe sidomos te pasë parasysh që sot arsimimi është kryesorja në jetën e fëmijëve tanë. Atëherë nuk jam pajtua me atë gjendje dhe nuk kam dashtë me heshtë, as nuk jam pajtua me atë gjendje. Kështu që i kam marr hapat e parë se çka mundem i ndihmua shkollës”.

    “Dy vitet e para kam ndihmua me tri projektet të veçanta, ku perdet e shkollës janë vendosë në krejt klasat, kamerat dhe sistemi i kamerave në të gjithë shkollën, jam mundu me mbulua pikat e dobëta të shkollës, ndërsa prej 15 tetorit 2019 kam marr rolin si Kryetar i Këshillit Drejtues të shkollës dhe prej asaj dite kemi bërë një plan të detalizuar së bashku me anëtarët e KDSh-së, ku janë katër nga mësimdhënësit, katër nga prindërit që jemi aty, dhe po ashtu nga Këshilli i Nxënësve”, u shpreh ai.

    “Pas prezantimit të planit të KDSh-së edhe pse nuk e kemi ditë që po ballafaqohemi me një vit shumë të vështirë të pandemisë, përkundër krejt asaj, por ka qenë një vullnet shumë i madh, gjë që edhe sot ndihem krenar edhe si kryetar i Këshillit Drejtues edhe si pjesë e kësaj shkolle që sot ndryshimi preket në shkollën “Faik Konica”. Janë realizua afërsisht 40-50 projekte. Prej krejt këtyre katër janë në proces për këtë vit që për shkak të pandemisë janë shty konfirmimet dhe kanë mbet si proces jo që nuk do të bëhen, por vetëm si proces deri në fund të këtij viti. Por ajo që është më e rëndësishme që kemi prek në çdo sferë të shkollës”, tha tutje kryetari i Këshillit Drejtues për Ekonomia Online.

    Tutje, Demiri tregon se projektet  janë realizuar me ndihmë nga donatorët që i kanë siguruar prindërit.

    “Krejt ky angazhim nuk është bërë financiarisht prej prindërve, nuk kanë ndihmua prindërit financiarisht me i realizua këto donacione, se nuk iu kemi kërkuar asnjë herë para,  janë bërë me vullnet të donatorëve të ndryshëm që janë jashtë shkollës, bizneset apo kompanitë” , u shpreh ai.

    Mes tjerash, ai tregon se gjatë kohës së pandemisë janë frikësuar se nuk do të munden t’i realizojnë projektet e parapara.

    “Ka qenë shumë vështirë me i bind, pasi me 12 mars ne vetëm u ballafaquam me pandeminë edhe ka qenë pas 5 muajve pasi e kam marr mandatin si kryetar dhe unë jam frikësua, jo në atë kuptimin se projektet nuk kanë me ndodhë por jam frikësuar se do të shtyhen për këtë vit. Prapë po them një vullnet i jashtëzakonshëm një punë e jashtë zakonshme është bërë në interes të gjithë fëmijëve edhe janë realizua 45 projekte”, tha ai.

    “Projektet që i kisha veçua në kuadër të shkollës janë tualetet, katër tualete janë bërë komplet të reja. Janë dy këndet e leximit, është hyrja e shkollës, është reklama e shkollës, është logoja e re e shkollës, është brendi, është çdo klasë e dekoruar, janë laptopët, që ndoshta jemi të vetmit në Kosovë që me 1 shtator, kemi qenë edhe për planin A, B,C, kur ne si shkollë i kemi plotësua kushtet edhe të internetit edhe te laptopve, po ashtu sigurimi është njëra prej gjërave kryesore, pjesa e kamerave, e kemi radion e shkollës aktive, do të thotë të gjitha këto aktivitete që janë bërë brenda këtij viti. Këtë vit ka mbetur uniforma, edhe pse është dizajnuar, por për shkak të pandemisë e kemi shtyrë”, u shpreh mes tjerash Demiri.

    Në anën tjetër, mësimdhënësja e matematikës, Vjollca Zogaj, tregoi se sa ua ka lehtësuar punën ndihma e siguruar nga prindërit.

    Ajo thotë se sigurimi i laptopëve për të realizuar mësimin online ka qenë esenciale për të.

    “Ndihmën të cilët na kanë dhënë prindërit sidomos në shkollën tonë, jemi jashtëzakonisht të kënaqur dhe me të vërtet është për t’u falënderuar një ndihmë, e jashtëzakonshme që u ka hyrë në përdorim sidomos arsimtarëve, prindërve, fëmijëve dhe besoj që duhet të vazhdojë”, tha Zogaj për Ekonomia Online.

    “Për mësimin online kisha thënë që duhet falënderuar posaçërisht kryetarin e Këshillit të Prindërve që ka siguruar laptopë dhe neve na ka ndihmuar punë shumë dhe jemi duke mbajtur mësim me gjysmën e klasës pasi që e kemi gjysmë klasë në shkollë dhe gjysmë në shtëpi ajo na ka ndihmua jashtëzakonisht”, u shpreh ajo.

  • Krimet e luftës në Kosovë, mungesa e një muzeu rrezikon të zhdukë gjurmët e masakrave serbe

    Krimet e luftës në Kosovë, mungesa e një muzeu rrezikon të zhdukë gjurmët e masakrave serbe

    Mungesa e një muzeu që dëshmon krimet e luftës në Kosovë rrezikon të lërë në harresë dëshmitë e gjalla, vrasjet, masakrat, keqtrajtimet dhe dhunimet që u bënë ndaj civilëve shqiptar gjatë kohës së luftës.

    Njerëz të fushës  si profesorë e historianë thonë se mos-krijimi i një muzeu të tillë përveç që tregon mos-respekt për sakrificën e të rënëve, por rrezikon edhe kujtesën kolektive rreth ngjarjeve që tronditën vendin dy dekada më parë.

    Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj thotë se mungesa e një muzeu që dëshmon krimet e luftës mund të krijojë problem në kujtesën kolektive.

    “Definitivisht mungesa e një muzeu të përgjithshëm që kish me trajtu të kaluarën është një problem i madh, në rend të parë edhe në kujtesën kolektive tonën si shoqëri, ku edhe gjeneratat e reja do ta vizitonin dhe do të mësonin mbi të kalurën, mirëpo është e rëndësishëm gjithashtu për vizitorët apo turistët e huaj që vinë në Kosovë, sigurisht që ata kanë dëgjuar që ka ndodh një luftë e tmerrshëm këtu, mirëpo kur i interesohen se ku mund të mësojnë diçka më shumë për këtë luftë në fakt nuk ekziston një adresë e vetme,” – thotë Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

    Historiani Memli Krasniqi thotë një muze i tillë është i rëndësishëm për të treguar krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullit të Kosovës.

    “Në një anë dëshmon për krimet serbe, në anën tjetër ndihmon në kujtesën kolektive të shqiptareve që mos të harrohet, jo me qëllim që të mbjellët ndonjë ndjenjë e hakmarrjes por jo edhe harresës, për të kujtuar dëmet dhe krimet e rënda që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë…Ndërsa çdo vonesë ose shtyrje e kohës deri në hapjen e muzeve ka pasoja sepse shumë mbetje materiale ose janë shkatërruar ose nuk mund të gjenden veshmbathje që shkatërrohen, ose fotografi mund të humbin që nuk janë dixhitalizuar, gjithashtu edhe incizimet që nuk janë dixhitalizuar mund të humbin, me distancë kohore zbehet edhe kujtesa e personave që kanë jetuar ose mbijetuar masakrat,” – shprehet historiani Krasniqi. 

    Ndërsa, profesori Ismet Salihu, i cili ishte pjesë e Institutit për Hulumtimin e krimeve të Luftës, institucion ky që aktualisht nuk funksionon, thotë se shteti tregoi neglizhencë sa i përket kësaj çështje.

    “Shumë e dëmshme është, jashtëzakonisht e dëmshme për shkak se jo vetëm që lë në harresë, për shkak se nuk tregohet as një minimum i respektit të dëshmoreve, të luftës që janë vrarë për këtë liri, të viktimave të luftës, të miliarda dëmeve të tjera materiale, për këtë arsye është e dëmshme mos themelimi i muzeut për krime të luftës por edhe rihapja e shpejtë e institutit për hulumtimin e krimeve të luftës,” – thotë Salihu.

    Institucionet shtetërore në Kosovë deri tani nuk e kanë pasur prioritetit mbledhjen dhe dokumentimin e krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe gjatë periudhës 1998-1999.

    Kosova ka disa iniciativa memoriale të cilave padyshim u prinë ajo në Prekaz, ku dëshmohet sakrifica e familjes Jashari, por edhe ajo ka mbetur në gjendje të vështirë pa përkujdesjen e duhur nga shteti.

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline