Category: Lajme

  • Kosovë, 23 vjet nga rënia e kryekomandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij

    Kanë kaluar 23 vjet që kur kryekomandanti dhe një nga themeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, ra dëshmor bashkë me 55 anëtarë të familjes së tij në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt.

    Sulmeve të marsit 1998 nga forcat policore serbe në drejtim të shtëpisë së Jasharëve në Prekaz, të cilat zgjatën tre ditë dhe dy net, përkatësisht më 5, 6 dhe 7 mars, i rezistuan vëllezërit Adem e Hamëz Jashari me familjen e tyre, bashkë me disa bashkëluftëtarë tjerë të UÇK-së nga ky rajon.

    Por, mbi 5 mijë pjesëtarë të forcave policore serbe vranë në ditën e tretë kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jashari, bashkë me vëllanë Hamëz Jashari, ndërsa nga ajo që më vonë do të njihej si Masakra e Prekazit, humbën jetën 56 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq, përjashtuar vajzën e Hamëz Jasharit, Besartën (atëherë 10 vjeç), e cila shpëtoi.

    Sulmeve të njësisë speciale policore serbe në shtëpinë e Jasharëve i parapriu një sulm i pjesëtarëve të UÇK-së ndaj pjesëtarëve të njësisë policore serbe, ku më pas këta të fundit kërkonin ndëshkim dhe synonin t’i kapnin ushtarët e UÇK-së duke i konsideruar ata si “terroristë”.

    Ky sulm ndaj familjes Jashari ishte kritikuar nga organizata ndërkombëtare “Amnesty International”, e cila theksoi se “të gjithat provat dëshmojnë se sulmi nuk ka pasur qëllim për t’i kapur ushtarët e UÇK-së, por për t’i vrarë të dyshuarit dhe familjet e tyre”.

    Osman Musliu, imami nga duart e të cilit u qefinosën anëtarët e familjes Jashari

    Osman Musliu, imami 59 vjeçar nga Likoci i Drenasit, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tregon se e kishte përballuar rëndë rënien e familjes Jashari, gjë që ishte bërë shkak që atëkohë ai të mos qëndrojë në Suharekë, aty ku punonte si imam, por kishte vendosur të marrë pjesë në varrimin e kufomave të kësaj familjeje.

    Por, me të shkuar në Polac, rreth 5 kilometra larg nga Prekazi, Musliu ishte ndeshur për herë të parë me trupat e pajetë të familjes Jashari të vendosura nën një strehë afër rrugës, pasi ishin ekzaminuar nga autoritetet jugosllave. Ditë më vonë nga i njëjti vend, media ndërkombëtare shfaqën imamin Musliu të përlotur, teksa shikonte trupat e pajetë të Jasharëve.

    Sot, ai e ka ende të freskët pamjen që iu shfaq para syve më 10 mars të vitit 1998, në të njëjtin vend, ku qëndroi gjatë gjithë ditës, duke qefinosur të rënët e duke ndihmuar në shkrimin e emrave të tyre mbi arkivole.

    “Nga ora 4, kur mbeta i vetmi hoxhë i pranishëm këtu, më shkoi mendja se ndoshta nuk do të ketë kush t’ua falë xhenazet Jasharëve dhe kam dalë atje prapa. Për fat të mirë kibla ishte ashtu siç përshtatej me kufomat dhe kam dalë dhe e kam falur namazin e xhenazes fshehurazi që të mos bie në sy të askujt. Por, e kam kryer namazin pa i ngritur duart në tekbire, vetëm i kam lidhur duart në mes dhe e kam falë namazin e xhenazes për të gjithë, në atë mundësinë time për të treguar se po bëj diçka për këta njerëz, sepse, edhe atëherë isha i vetëdijshëm që këta njerëz do të jenë liria jonë. Unë nuk mendoja se do të shpëtoj. Kush ka menduar se sot do të isha i shpëtuar dhe do të flisja për ta”, thotë Musliu për AA.

    Megjithë këtë, ai dhe asnjë nga grupi i tij nuk kishin mundur të bëheshin pjesë e varrimit të nesërmen, kur ata ishin varrosur me traditë Islame nga banorët e Prekazit, por pa praninë e familjarëve, nga të cilët një pjesë ndodhej në Kosovë dhe një pjesë tjetër jashtë.

    Imami Musliu thotë se familja Jashari e cila rrjedh nga Shaban e Zahide Jashari, të cilët të dy kishin nga 74 vjet kur u vranë, ishte familje me ndenja të veçanta për atdheun dhe vetëdije të lartë kombëtare dhe fetare.

    “Mixha Shaban (babai i Adem dhe Hamëz Jasharit) ka qenë nga ata njerëzit që ka pasur njohuri për fenë Islame sa që kam dëgjuar që është bërë herë-herë edhe myezin dhe ka pasur kolegë disa nga hoxhallarët e gjeneratave të vjetra. Sa, si e tek, unë nuk kam pasur shumë njohuri për këtë familje sepse nuk i kam njohur, por çdoherë kam dëgjuar se kjo familje ka qenë familje fetare Islame, sa që edhe në Ramazan kur ata ishin sulmuar më 22 janar të vitit 1998 në sulmin e parë, nëna Zahide thotë se ishin ngritur për të ngrënë syfyr ndërsa pas syfyrit ishin sulmuar nga forcat serbe”, thekson Musliu.

    Në shtator të vitit 2002, me vullnetin e një pjese të familjes Jashari që ishte në mërgim në kohë të luftës, të kryesuar nga vëllai i Adem e Hamëz Jasharit, Rifati, trupat e pajetë u zhvarrosën dhe u bë identifikimi i secilës kufomë, për t’u varrosur në vendin ku edhe sot ndodhen, në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Adem Jashari dhe sakrifica e familjes së tij u bënë simboli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai njihet si “Komandanti Legjendar i UÇK-së”, ndërsa pas vdekjes, atij dhe Hamëz Jasharit iu nda urdhri “Hero i Kosovës” (dekoratë shtetërore për figurat historike) nga presidenti i atëhershëm, Ibrahim Rugova.

    Pothuajse 10 vite pas rënies, në shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, në Kosovë u krijua slogani “Bac, u kry”, që i dedikohej kryekomandantit Adem Jashari, si realizim i qëllimit sublim të të gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij.

  • Rrëzohet një helikopter ushtarak në Turqi, 9 ushtarë martirizohen

    Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka njoftuar se nëntë ushtarë janë martirizuar dhe katër të tjerë janë plagosur si pasojë e rrëzimit të një helikopteri ushtarak në lindje të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

    “Si rezultat i aksidentit tragjik, nëntë shokët tanë heroikë në helikopter u martirizuan dhe katër të tjerë u plagosën”, tha ministria turke në një njoftim.

    Kontakti me helikopterin ushtarak të tipit ‘Cougar’, i cili u ngrit në orën 1:55 pasdite nga provinca lindore Bingol në rrethin Tatvan, u ndërpre në orën 2:25 pasdite.

    “Po zhvillohen përpjekje për transferimin e personelit tonë të plagosur në spital”, tha ministria turke

  • Turqia dhe Bosnja e Hercegovina nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi financiar ushtarak

    Turqia dhe Bosnjë e Herzegovina kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi financiar ushtarak në kryeqytetin turk Ankara, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Ministria Turke e Mbrojtjes Kombëtare njoftoi se shefat e mbrojtjes të të dy vendeve nënshkruan marrëveshjen pas bisedimeve mbi mbrojtjen dypalëshe dhe rajonale, sigurisë dhe bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes.

    Më tej, njoftohet se ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar dhe homologu i tij nga Bosnjë e Hercegovina, Sifet Podzhiç, gjithashtu nënshkruan një protokoll të aplikimit për ndihmë në para.

    Gjatë bisedimeve, Akar dhe Podzhiç theksuan historinë e përbashkët midis dy vendeve dhe nënvizuan nevojën për shtimin e përpjekjeve për rritjen e trajnimit ushtarak dhe bashkëpunimin.

  • Presidentja Osmani mbyllë vizitën dyditore në Zvicër

    Ushtruesja e detyrës presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përmbyllur vizitën dyditore në Zvicër, ku ka qëndruar me ftesë të Parlamentit Zviceran, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Siç njofton Presidenca, Osmani gjatë kësaj vizite është takuar me krerët e shtetit zviceran, me të cilët ka diskutuar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, ndihmën në fushën e zhvillimit, identifikimin e fushave të reja në sferën e bashkëpunimit bilateral, si dhe projekte tjera konkrete.

    Osmani ka falënderuar për mikpritjen dhe takimet përmbajtësore presidentin e Këshillit Kombëtar, Andreas Aebi, presidentin e Senatit Zviceran, (Këshillit të Shteteve), Alex Kuprecht, zëvendëspresidentin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ignazio Cassis, nënkryetaren e parë të Këshillit Nacional të Zvicrës, Irène Kalin, Grupin e Miqësisë Kosovë-Zvicër dhe zyrtarë të tjerë shtetëror.

    Në njoftim thuhet se autoritetet shtetërore të Zvicrës kanë shfaqur gatishmërinë për ta mbështetur rrugën e Kosovës për në Bashkim Evropian (BE), si dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare, një numër i madh i të cilave janë me seli në Zvicër.

    “Sundimi i ligjit, demokratizimi, siguria dhe transparenca e llogaridhënia mbeten objektiva të përbashkëta dhe aleatët tanë do vazhdojnë të jenë pranë nesh në promovimin e tyre ashtu siç kanë qenë deri më tani. Gjersa, në fushën e zhvillimit, theksova që e ardhmja e Kosovës do të orientohet kah investimi në kapital njerëzor e në këtë drejtim bazë e çdo suksesi është investimi në arsim, në të cilin drejtim mora përkushtimin e partnerëve tanë për mbështetje”, ka thënë Osmani.

    Në takimet me krerët shtetërorë të Zvicrës, Osmani ka diskutuar edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, në kontekst të të cilit është përmendur dialogu Kosovë-Serbi. Për këtë çështje, Osmani ka theksuar se epilogu i këtij dialogu duhet të jetë njohja e ndërsjellë me kufijtë aktual të Republikës së Kosovës.

    Gjithashtu në takime është diskutuar edhe mundësia e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe është paralajmëruar fillimi i një projekti për shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e parlamentarizmit.

  • KQZ me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve: LVV 49.95 %, PDK 16.9 %, LDK 12.64 % dhe AAK 7.07 %

    KQZ me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve: LVV 49.95 %, PDK 16.9 %, LDK 12.64 % dhe AAK 7.07 %

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

    shpalli sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit.  Lëvizja Vetëvendosje prin me 49.95 për qind, Partia Demokratike me 16.9 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.64 për qind dhe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.07 për qind.

  • Eurostat: Veriu i Shqipërisë, rajoni më i varfër i Europës

    Eurostat: Veriu i Shqipërisë, rajoni më i varfër i Europës

    Zonat e Veriut të Shqipërisë janë më të varfrat në Europë, sipas një publikimi të fundit të prodhimit për frymë rajonal të Eurostat, me të dhëna që i referohen vitit 2018 dhe 2019.

    Sipas Eurostat, në vitin 2018, Veriu i Shqipërisë kishte të ardhura për frymë prej 3600 eurosh, nga 4500 euro që është mesatarja e vendit tonë.

    Edhe Jugu i vendit sërish është në nivele të ulëta prej 4000 eurosh për frymë, sipas Eurostat. Në nivele të ngjashme janë disa rajone të Turqisë dhe të Serbisë.

    Vetëm në qendër, të ardhurat janë pak më të larta, duke arritur në 5,400 euro për frymë, duke ua kaluar disa rajoneve të Turqisë, Serbisë e Maqedonisë.

    Edhe në nivel shteti, (me 4500 euro për frymë nivel mesatar) Shqipëria është e fundit në Europë. Më dobët pas Shqipërisë është Maqedonia (5200 euro), Serbia (6,100 euro), ndërsa kryesimin në rajon e mban Mali i Zi (7500 euro).

    Mesatarja e Bashkimit Europan është 31 mijë euro të ardhura për frymë, sipas Eurostat.

    Sipas Eurostat, rajonet kryesore në renditjen e PBB-së rajonale për frymë në 2019, pas Luksemburgut (260% të mesatares së BE), jugu i Irlandës (240%), Praga (205%) në Çeki, Brukseli në Belgjikë (202%) si dhe Hamburgu (195%) në Gjermani.

    PBB-ja e lartë për frymë në këto rajone mund të shpjegohet pjesërisht nga një fluks i lartë i punëtorëve që udhëtojnë (Luksemburg, Pragë, Bruksel dhe Hamburg) ose nga pasuritë e mëdha kapitale të zotëruara nga disa kompani shumëkombëshe me vendbanim në disa rajone (psh Midland në Irlandë) )

    Në të kundërt, zona Veri-Perëndimore në Bullgari dhe Mayotte (të dy 32% e mesatares së BE),  janë rajonet më të ulëta në renditje./Monitor

  • Kandili i detit vret 17 vjeçarin

    Kandili i detit vret 17 vjeçarin

    Një adoleshent australian ka vdekur pasi u godit nga një kandil deti ndërsa ishte duke notuar në një plazh të Queensland.

    17 vjeçari vdiq të hënën në spital, rreth një javë pas incidentit, tha Policia e Queensland.

    Vdekja e tij është fataliteti i parë i shkaktuar nga speciet në Australi që nga viti 2006, raportuan mediat lokale.

    Kandili i detit australian – i quajtur kështu për formën e tij – konsiderohet të jetë kafsha detare më helmuese.

    Ajo ka gjemba të gjata të cilat janë të mbuluara me helm. Kur injektohet në njerëz ose kafshë, kjo mund të çojë në paralizë, arrest kardiak dhe vdekje.

    Autoritetet thanë se djali ishte duke notuar pranë qytetit Bamaga në Cape York, në majën veriore të Australisë, kur u godit më 22 Shkurt.

    Ai u mjekua në vendin e ngjarjes përpara se të dërgohej me avion në Spitalin Townsville, transmeton Klan Kosova.

  • Mianmari sheh ditën më të përgjakur të protestave – 38 të vrarë

    Mianmari sheh ditën më të përgjakur të protestave – 38 të vrarë

    Të paktën 38 njerëz u vranë në Mianmar të mërkurën, ditë të cilën Kombet e Bashkuara e përshkruan si ditën më të përgjakshme që nga grushtshteti që ndodhi një muaj më parë.

    E dërguara e Kombeve të Bashkuara për Mianmar, Christine Schraner Burgener, tha se kishte pamje tronditëse nga vendi i ngjarjes.

    Ajo gjithashtu tha se me sa duket forcat e sigurisë po qëllonin me plumba të gjallë.

    Demonstrata masive dhe akte të mosbindjes civile janë duke u zhvilluar në të gjithë Mianmarit që kur ushtria mori kontrollin në 1 shkurt, shkruan BBC.

    Protestuesit kanë bërë thirrje për lirimin e udhëheqësve të zgjedhur të qeverisë, duke përfshirë Aung San Suu Kyi, të cilët u rrëzuan dhe u arrestuan në grushtshtet.

    Dhuna e fundit vjen një ditë pasi fqinjët e Mianmarit nxitën ushtrinë për vetëpërmbajtje.

  • Çfarë zbuloi një raport i rastësishëm: Si po mundohet Kina të zvogëlojë numrin e myslimanëve Ujgurë?

    Çfarë zbuloi një raport i rastësishëm: Si po mundohet Kina të zvogëlojë numrin e myslimanëve Ujgurë?

    Programet e punës së Kinës në Xinjiang janë të paktën pjesërisht të dizajnuara për të zvogëluar numrin e Ujgurëve, një grup etnik minoritar. Ky informacion nga raporti u botua aksidentalisht.

    Raporti u shkrua nga akademikë të Universitetit Nakai. Ai u fshi nga interneti në mes të vitit të kaluar, por e ka arkivuar, Dr. Adrian Zenz. Kjo është, siç pretendohet, vetëm një nga provat që Pekini po përndjek Ujgurët. Ekspertët e të drejtave të njeriut dhe disa qeveri e kanë etiketuar këtë si gjenocid kulturor.

    Qeveria kineze mohon akuzat për punë të detyruar dhe transferime të punës në Xinjiang dhe tha se programet ishin krijuar për të ulur varfërinë. Sidoqoftë, raporti thotë se kjo është një masë afatgjatë që jo vetëm zvogëlon dendësinë e popullatës Ujgure në Xinjiang, por gjithashtu ndikon dhe asimilon ata, raporton theguardian.

    “Le t’i ndryshojnë gradualisht të menduarit dhe të kuptuarit e tyre dhe të transformojnë vlerat dhe pikëpamjet e jetës përmes ndryshimit të mjedisit dhe punës së detyruar”, tha raporti.

    Rekomandohet që qeveria të zgjerojë programet në rajonet lindore dhe qendrore të Kinës për të përmbushur kërkesat e punës.

    Raporti theksoi se gjithçka është mbi një bazë vullnetare, por përmban detaje kontradiktore, të tilla si objektivat në lidhje me eksportin e punëtorëve dhe nevojën për rojet e sigurisë për të punuar në ekipe punësimi.

    Sugjerohet gjithashtu që autoritetet e ekzagjeruan në demonizimin e Ujgurëve dhe se disa autoritete lokale dhe policore nuk pranuan të pranonin punëtorë të Xinjiang për arsye sigurie.

    Ujgurët që morën pjesë në trazira ishin në pakicë dhe u dërguan në “qendrat e arsimit dhe trajnimit”. Kështu i quan kampet qeveria kineze.

    “Ka prova se qeveria po kryen një sulm të përhapur dhe sistematik ndaj Ujgurëve. Krimet kundër njerëzimit po ndodhin”, tha Erin Farrell Rosenberg, një ish këshilltar i Muzeut Memorial të Holokaustit Amerikan.

    Rosenberg dhe Zenz kanë shprehur shqetësim sepse ujgurët shikohen vetëm përmes prizmit të punës së detyruar dhe harrohet se ata po dëbohen nga shtëpitë e tyre.

    Autoritetet kineze vazhdojnë të mohojnë krimet, duke përfshirë privimin arbitrar të lirisë së rreth një milion njerëzve, sterilizimin dhe sulmet ndaj grave dhe shtypjen ose shkatërrimin e traditave kulturore dhe fetare dhe lokaliteteve. Kampet thuhet se janë qendra të formimit profesional të përdorura për të luftuar ekstremizmin fetar. /Telegrafi/

  • Kullat e Jasharëve rrezikojnë shembjen, mbeten nën mëshirën e “fatit”

    Kullat e Jasharëve rrezikojnë shembjen, mbeten nën mëshirën e “fatit”

    Edhe pse kanë kaluar 20 vjet që prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, ende nuk ka përfunduar projekti i përgjithshëm i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” si dhe konservimi i kullave, të cilat rrezikojnë nga ditë në ditë të shemben edhe pse Ligji është miratuar dy vjet më parë.

    Mirëpo, një nga arsyet e vonesave për punimet në këtë kompleks përmendet edhe ndryshimi i shpeshtë i qeverive, që ka shkaktuar edhe ndryshimet e shpeshta të komitetit ndërministror. Pjesë e komitetit është edhe Agjencia për Menaxhimin e Memorialëve.

    Bislim Zogaj, drejtor në Agjencinë për Menaxhimin e Memorialëve në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ende asgjë nuk është bërë sa i projektit të përgjithshëm të Kompleksit Memorial të Jasharajve edhe pse sipas tij ky projekt është nën kompetencën e komitetit ndërministrorë për përzgjedhjen e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

    “Situata është pak e pa lakmueshme. Sa i përket projektit të kompleksit të përgjithshëm ka kaluar në kompetencë të një Komiteti Ndërministrorë e formuar nga institucionet e Kosovës. Në Vitin 2019 udhëheqës i saj ka qenë zëvendëskryeministri në Qeverinë e Ramush Haradinajt, Fatmir Limaj, dhe në momentin që ka dhënë dorëheqje ish kryeministri Haradinaj pati pushuar së funksionuar ai Komitet. Pastaj ka marr shumë kohë deri në krijimin e qeverisë së re, Qeveria Kurti nuk patë kohë të ndërmarr asgjë. Pastaj në qeverinë Hoti kryetar i këtij komiteti është caktuar zëvendës kryeministri, Besnik Tahiri. Janë mbajtur tri takime. Pas diskutimeve të të gjithë anëtarëve kemi ardhur në përfundim që të vazhdohet aty ku ka mbet nga komiteti i kaluar ndërministror, ku është përcaktuar që të formohet një zyrë në kuadër të kryeministrit për t’i bërë oferta kompanive për detyrën projektuese të projektit. Dhe në mbledhjen e komitetit e kam prezantuar se ne kemi një projekt sa i përket vetëm konservimit të kullave, jo për projektin e përgjithshëm”, ka thënë Zogaj.

    Zogaj po ashtu tha se situata ka mbetur aty dhe nuk ka lëvizur më “deri në ardhjen e qeverisë së re”.

    “Situata ka mbet këtu dhe nuk ka lëviz, deri në ardhjen e qeverisë së re”, ka thënë Zogaj.

    Ndërsa sa i përket kullave të Jasharajve, Zogaj tha se përgjegjësi e Agjencionit të cilin ai e menaxhon është mirëmbajtja e tyre.

    “Sa i përket konservimit end nuk ka filluar asgjë, pasi Komiteti ka vendos që mos të shkohet me projektin ekzistues pasi duhet të vlerësojmë nëse ky projekt i plotëson kushtet apo jo. Ne si agjencionë e kemi për obligim vetëm mirëmbajtjen e objekteve ekzistuese kurse sa i përket projektit të ri është në kompetencë të komitetit ndërministrorë”, tha për Telegrafin Bislim Zogaj, drejtor në Agjencinë për Menaxhimin e Memorialëve.

    Telegrafi po ashtu ka provuar të kontaktoj edhe kryetarin e komitetit ndërministror për përzgjedhjen e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz e cila vepron në kuadër të Qeverisë së Kosovës,  njëherit zëvendëskryeministër në detyrë, Besnik Tahirin mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur. /Telegrafi/

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline