Category: Lajme

  • Rajoni i Azisë Jugore goditet nga një tërmet 6,3 ballësh

    Një tërmet me madhësi 6,3 ballë goditi pjesën më të madhe të rajonit të Azisë Jugore, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Sipas Departamentit Meteorologjik të Pakistanit, tërmeti i fuqishëm, epiqendra e të cilit ishte në Taxhikistan, u ndie në të gjithë rajonin.

    Gjithashtu, njerëzit në rajonin e Azisë Jugore raportuan tërmetin në rrjetet sociale.

    Nuk ka raportime të menjëhershme për viktima ose dëme materiale.

  • Studentët lirohen nga pagesa e semestrit veror

    Studentët e nivelit bachelor dhe master të institucioneve arsimore publike, përfshirë edhe studentët nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi janë liruar nga pagesa e semestrit veror.

    Kështu ka marrë vendim qeveria në detyrë e Kosovës, për të cilin vendim ka njoftuar ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami.

    “Kemi liruar nga pagesa e semestrit veror studentët e nivelit bachelor dhe master të institucioneve të larta arsimore publike, përfshirë edhe studentët nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi”, ka shkruar Bajrami.

  • Fëmijët sirianë në kampet në Idlib nuk arrijnë të blejnë lodra, paratë u mjaftojnë vetëm për bukë

    Dyqani i lodrave i hapur në një qytet tendë në Idlib të Sirisë, po arrin t’i zbukurojë vetëm ëndrrat e fëmijëve, pasi në rastet e para që familjet e tyre kanë në dorë para, ata nuk mund të blejnë gjë tjetër pos bukës.

    Muhamed Kitejsh, i cili u zhvendos dy vjet më parë për shkak të sulmeve të forcave të regjimit të Bashar al Asadit, hapi një dyqan lodrash në kampin ku u strehua.

    Duke folur për Anadolu Agency (AA), Kitejsh deklaroi se dyqanin e ka hapur duke marrë para hua.

    “Dyqani i lodrave më rehaton. Më largon nga balta dhe pluhuri i kampit. Kjo më bën të harroj dhimbjen që kam përjetuar, qoftë edhe për çaste të shkurtra”, shprehet ai.

    Megjithatë, ai thotë se vuajtjet e fëmijëve të zhvendosur nuk mund t’i largojnë madje as lodrat.

    “Dua që të gjithë fëmijët në çadra të kenë lodra”

    13-vjeçari Ahmet Hatib, i cili jeton në një nga çadrat e improvizuara në kamp, ​​tha se familja e tij nuk ka para për të blerë lodra dhe se në rastet kur në dorë u bie ndonjë para, ata mund të blejnë vetëm bukë.

    Hatib tha se dëshiron të ketë lodra, veçanërisht një biçikletë, sikurse fëmijët e tjerë.

    Ndërkaq, dhjetëvjeçari Adnan Muhamed, theksoi se dëshiron të blejë një top futbolli.

    “Jo vetëm për vete, por dua që të gjithë fëmijët në çadra të kenë lodra”, thotë Muhamed.

    Idlibi bën pjesë në një zonë të de-eskalimit të krijuar sipas një marrëveshjeje midis Turqisë dhe Rusisë. Zona ka qenë subjekt i marrëveshjeve të shumta të armëpushimit, të cilat shpesh janë shkelur nga regjimi i Asadit dhe aleatët e tij.

    Rreth 2 milionë civilë në periudhën 2017-2020 janë detyruar të migrojnë drejt zonave më afër kufirit me Turqinë si pasojë e sulmeve.

  • Në moshën 71 vjeçare ka ndërruar jetë Mexhid Yvejsi

    Në moshën 71 vjeçare ka ndërruar jetë Mexhid Yvejsi

    Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!

    Njoftojmë kolegët, miqtë e opinionin e gjerë, se sot, në moshën 71 vjeçare ka ndërruar jetë Mexhid Yvejsi, bashkëpunëtor shumëvjeçarë me Bashkësinë islame të Kosovës ku dha kontribut të çmuar me shkrimet e tij në periodikun fetar si në revistat “Dituria Islame”, “Takvim”, “Edukata Islame” etj.

    Biografi e shkurtër

    Mexhid Yvejsi rrjedh nga një familje e njohur e frymëzuar me ndjenja fetare dhe kombëtare. Nga trungu i kësaj familjeje kanë dalë shumë intelektualë e personalitete të shquara, si: imamë, myfti, hafizë dhe myderrizë të njohur në mbarë trojet shqiptare e më gjerë. Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Gjakovë, ndërsa në Fakultetin Filozofik – Universiteti i Prishtinës, studioi Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Me shkrime u morr që nga bankat e shkollës fillore ku shkroi poezi, prozë, kritikë letrare, polemika etj. Deri më sot ka botuar, në trojet shqiptare, nëpër Evropë, Amerikë deri në Australi, mbi 1000 punime të ndryshme.

    Më se dhjetë vjet jetoi dhe veproi në Perëndim, në Evropë dhe në Amerikë. Një kohë shërbeu si imam në Romë, Itali, dhe më vonë si ndihmë-sekretar i Qendrës Islame Shqiptare-Amerikane për shtetet New York dhe New Jersey. Ishte edhe arsimtar, reporter dhe gazetar i Qendrës Islame Shqiptare-Amerikane.

    Ka marrë pjesë me kumtesa, studime, në shumë Tryeza Shkencore, Kongrese, Tribuna, Konferenca Shkencore me karakter lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Bashkëpunoi rregullisht me shtypin fetar që botohet në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë. Ka shkruar mbi 25 libra, duke përfshirë këtu edhe përkthime nga gjuha angleze me gjini të ndryshme: letrare, historike, monografi etj.

    Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me xhenet!

  • Reshjet e shiut shkaktojnë përmbytje në Shqipëri

    Reshjet e shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar probleme në Shqipëri, ndërkohë disa zona në qytetin e Shkodrës janë përmbytur, raporton Anadolu Agency (AA).

    Përmbytjet kanë përfshirë disa lagje të qytetit të Shkodrës, ndërkohë janë angazhuar edhe autoritetet për normalizimin e situatës, duke shpërndarë edhe ndihma ushqimore për familjet e prekura.

    Situata e vështirë e krijuar nga përmbytjet ka vënë në lëvizje institucionet shtetërore, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë, që janë angazhuar në evakuimin e disa familjeve në Shkodër nga banesat e tyre të rrezikuara nga përmbytjet.

    Ndërkohë, përveç disa lagjeve të qytetit të Shkodrës, situatë problematike në këtë qark është edhe në disa njësi të tjera administrative.

    Reshjet intensive kanë përshirë edhe qytetin e Vlorës, Beratit dhe disa zona të Qarkut të Lezhës, duke shkaktuar edhe përmbytje.

    Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, në gjithë Qarkun e Shkodrës janë 5.030 hektarë sipërfaqe e përmbytur, ndërkohë që ka prani të ujit në disa banesa në lagjet e qytetit dhe në disa njësi administrative

    Nga ana tjetër, sipas një njoftimi nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), si pasojë e reshjeve shumë intensive dhe shkrirjes së dëborës në alpet shqiptare dhe në Malin e Zi, pritet zgjerim i zonave të përmbytura në Shkodër.

  • Skemat e parealizueshme sociale

    Rritja e skemave sociale dhe pensionale nga 30 deri në 40 për qind dhe futja e skemave të reja sociale janë disa nga premtimet e partive politike, të cilat bien ndesh me mundësitë buxhetore që ka Kosova, thotë profesori i ekonomisë Muhamet Sadiku. Në këtë mënyrë, shton ai, këto premtime janë të parealizueshme.

    Buxheti i Kosovës për vitin 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove dhe përgjatë viteve nuk ka pasur buxhet më të madh se ky i cili është në këtë vit.

    Ndërkaq, baza e politikave sociale në Kosovë, përbëhet nga skema të shumta sociale e pensionale. Në këto kategori hyjnë mbi 420 mijë qytetarëve të Kosovës dhe nga buxheti i shtetit çdo vit, ndahen deri në 400 milionë euro.

    Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku thotë për Radion Evropa e Lirë se këto premtime zakonisht janë jorealiste, pasi që bien ndesh edhe me rritjen ekonomike që ka Kosova.

    “Kosova qe në një kohë të gjatë është në një depresion social dhe shanset për të ikur nga kjo zonë janë shumë të vogla. Premtimeve të tilla duhet t’iu shmangemi dhe të koncentrohemi në gjëra që janë të prekshme për popullatë”, thotë Sadiku

    “Kosova vazhdon të ketë 9 për qind të popullatës në varfëri ekstreme dhe 12 për qind në varfëri absolute, ku i bie që rreth 400 mijë qytetarë jetojnë me konsum ditor rreth 2 euro dhe nuk mund të ketë pretendime për ndryshime të mëdha sociale”, shton ai.

    Rritja ekonomike në Kosovë përgjatë viteve nuk ka qenë më shumë se 4 për qind, ndërkaq në vitin 2020 si pasojë e pandemisë COVID-19, ka pasur rënie ekonomike deri në 7 për qind.

    Premtimet e partive politike për rritje të skemave sociale bien ndesh edhe me politikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

    Ky institucion në të kaluarën kishte theksuar se skemat e reja sociale mund ta fusin Kosovën në një krizë fiskale. Buxheti i Kosovës, sipas FMN-së, nuk mund të përballojë një rritje aq të shpejtë të shpenzimeve për skemat sociale.

    Profesor Sadiku, shton se duhet bërë ndryshime të mëdha në rritje ekonomike dhe më pas të shikohet se sa kjo rritje ekonomike do të konvertohet në platformë sociale.

    Sipas tij, Kosova duhet të ketë një rritje ekonomike dyshifrore për të adresuar problemet ekonomike dhe sociale

    “Kemi dështime të shumta sepse në Kosovë nuk ekziston lidhja në mes rritjes ekonomike dhe situatës sociale, mes rritjes ekonomike dhe pensioneve, mes rritjes ekonomike dhe të ardhurave…”, thotë ai.

    Vende pune për disa kategori sociale

    Në anën tjetër, Behxhet Gaxhiqi, profesor i Shkencave Sociale në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i kategorive sociale është i madh dhe një nga format më të mira e mbështetjes është punësimi i atyre kategorive sociale që mund të punojnë.

    “Është pozitive të mendohet për mirëqenien e këtyre kategorive, megjithatë rritja e skemave sociale nuk nënkupton që ne po i sigurojmë dhe jemi duke iu bërë zgjidhje, fokusi duhet të jetë te punësimi”, thotë Gaxhiqi.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka premtuar se nëse do të arrijë të qeverisë me Kosovën në katër vjetët e ardhshme, “të gjithë fëmijët nën moshën 2-vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 euro, kurse fëmijët nën moshën 16-vjeçare do të përfitojnë 10 euro në muaj”.

    Kjo parti politike po ashtu ka premtuar nga 50 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 7 mijë euro në vit, nga 100 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 6 mijë euro dhe nga 150 euro për secilin fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 5 mijë euro në vit.

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në programin qeverisës ka premtuar se nga viti 2023 nuk do të ketë pensione nën pagën minimale. Ndërkaq, pagën minimale e ka premtuar 300 euro.

    Po ashtu, LDK-ja ka premtuar rritje të asistencës sociale për 30 për qind.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK), lidhur me skemat sociale ka premtuar që pensionet bazike dhe pensionet e moshës të rriten 40 për qind, pensionet kontributdhënëse do të rriten 30 për qind, si dhe pensionet e familjeve të dëshmorëve, pensionet e invalidëve të luftës të rriten 30 për qind.

    Po ashtu, PDK-ja ka premtuar rritje deri në 30 për qind për të gjitha llojet e pensioneve të tjera.

    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.

  • Në moshën 56 vjeçare ka ndërruar jetë imami i xhamisë “Ibrahim Pasha” në Preshevë, Adnan ef. Ahmedi

    Në moshën 56 vjeçare ka ndërruar jetë imami i xhamisë “Ibrahim Pasha” në Preshevë, Adnan ef. Ahmedi

    Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!
    Njoftojmë kolegët, miqtë, e opinionin e gjerë, se sot në orët e para të mëngjesit, në moshën 56 vjeçare ka ndërruar jetë imami i xhamisë “Ibrahim Pasha” në Preshevë, Adnan ef. Ahmedi.

    Biografi e shkurtër

    Adnan ef. Ahmedi lindi më 12 janar 1965 në Preshevë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në vitin 1979, ndërsa të mesmen e përfundoi në vitin 1984 në Medresenë “Alauddin”. Më pas, Adnan efendiu vazhdoi studimet universitare në Universitetin “Al-Az’har” në Kajro, në të cilin diplomoi në vitin 1991.
    Pas përfundimit me sukses të studimeve, Adnan ef. Ahmedi vazhdoi studimet pasuniversitare në Institutin e Studimit të Shkencave Islame të Kajros, në të cilin magjistroi më 2001, ndërsa studimet e doktoratës i përfundoi në vitin 2003. Në fillim të vitit 2004, Adnan ef. Ahmedi emërohet si imam, hatib dhe mualim në xhaminë “Ibrahim Pasha” të Preshevës.

  • Ndërron jetë Hoxha Hazbi efendiu

    Ndërron jetë Hoxha Hazbi efendiu

    Ka ndërruar jetë Hoxha  Hazbi efendiu, ish imami i fshatit Sillare.

    Njeriu që ja kushtoi jetën Islamit.
    Në kohet më të vështira, në kohen e monizmit, ai arriti të nxjerrë gjashtë hafiza e qindra hatmelinjë, kur ishte në pyetje feja ai ishte ne gjendje te sakrifikojë edhe veten.
    Allahu e mëshiroftë!

  • Për herë të parë një musliman emërohet drejtor i revistës më prestigjioze juridike në SHBA

    Për herë të parë, një musliman është emëruar në krye të Law Review, revistës më prestigjioze juridike të vendit, të botuar nga Shkolla e Drejtësisë në Harvard, një nga universitetet kryesore në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Studenti 26-vjeçar musliman Hassan Shahawy u emërua drejtor i revistës 134-vjeçare.

    Shahawy, i cili ka lindur në Kaliforni nga një familje me origjinë egjiptiane, deklaroi se detyra e tij e re është e rëndësishme për të treguar rëndësinë që shkolla juridike i jep diversitetit dhe respektin ndaj traditave të tjera juridike.

    Shahawy u diplomua në Harvard në vitin 2016 në historisë dhe studimet e Lindjes së Mesme dhe përfundoi një doktoratë për të Drejtën e Lindjes dhe atë Islame në Universitetin e Oksfordit.

    Shahawy aktualisht merret me punime mbi popullatën e refugjatëve dhe reformën e ligjit penal në SHBA.

    Ish-presidenti i SHBA-së Barack Obama kishte shërbyer si drejtori i parë me ngjyrë i revistës në fjalë në vitin 1990.

  • Evropa instaloi 26 për qind kapacitet më të lartë në fermat e erës në 2020

    Kapaciteti nominal i vlerësuar i turbinave të instaluara në vitin 2020 ishte 8.2 megavat (MW), me dy të tretat e fermave të erës me punë në det të hapur në vitin 2020 duke përdorur turbina më të mëdha se kjo, thuhet në raportin e “WindEurope”, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Në raportin e energjisë së erës në det të hapur në Evropë, trendet kryesore dhe raporti i statistikave 2020, madhësia mesatare e fermave të energjisë nga era ishte 788 MW, 26 për qind më e lartë se vitin e kaluar.

    Në Evropë, 5.402 turbina me erë në det të hapur u lidhën me rrjetin, gjithsej 25,014 MW të kapacitetit të instaluar të energjisë.

    Distanca mesatare deri në breg ishte 52 kilometra dhe me një thellësi uji prej 44 metrash.

    “Zona e fermës Hollandse Kust Noord V ishte ankandi i vetëm këtë vit, e cila u fitua nga konzorcium i Shell New Energies dhe Eneco”, thuhet në raport.

    Përveç kësaj, GE Renewable Energy mori porosinë më të madhe për turbinat me erë, nga SSE dhe Equinor për Dogger Bank në Britani të Madhe. Në projekt do të ketë 190 turbina GE Haliade-X 13 MW.

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline