Category: Lajme

  • KBI në Obiliq pranon donacion një automjet për bartjen e kufomave nga Komuna e Obiliqit

    Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Obiliq, ka pranuar gjatë ditës sotme donacion një veturë për bartjen e kufomave nga Komuna e Obiliqit. Ky donacion që arrin shifrën e rreth 20 mijë eurove do të jetë në dispozicion për banorët e kësaj komune dhe fshatrave për rreth.

    Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Obiliq, Behar ef. Mjekiqi, falënderoi komunën për këtë donacion më së të nevojshëm për besimtarët atje. Mjekiqi, poashtu falënderoi komunën e cila në vazhdimësi ka qenë tejet bashkëpunuese me Këshillin e Bashkësisë Islame të Kosovës në Obiliq.

    “Fillimisht e falënderojmë Zotin, pastaj një falënderim të veçantë për kryetarin e Komunës Xhafer Gashin, dhurimi i këtij automjeti transportues për kufoma për neve si BI në Obiliq nuk është aspak e jashtëzakonshme për shkak se bashkëpunimi me Komunë e Obiliqit ka qenë në vazhdimësi siç është rregullimi i varrezave, rregullimi i anekseve, rregullimi i infrastrukturës për xhematin dhe pagesa e shërbimeve të varrimit. Në emër të xhematit të Obiliqit dhe fshatrave për rreth falënderojë jashtëzakonisht shumë kryetarin e Komunës, Xhafer Tahiri”, ka deklaruar Behar ef. Mjekiqi.

    Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Tahiri, përgëzoi dhe njëkohësisht falënderoi Këshillin e Bashkësisë Islame në Obiliq për angazhimin e treguar ndër vite. Ai u shpreh se donacioni për bartjen e kufomave është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të mirë për këtë vit.

    “Po sot kemi bërë dorëzimin e automjetit për bartjen e kufomave shpresojmë që sado pak të KBI-së ne Obiliq t’ia lehtësoj punën që janë duke e bërë në vazhdimësi, paçi shëndet kryetar dhe shpresojë të vazhdojmë edhe më tutje bashkëpunimin e ndërsjellë qoftë me pagesën për kryerjen e ceremonisë së varrimit, qoftë me ndërtimin të vendit do të bëhet përgatitja e kufomave”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

  • Kosovarët me mendime të ndryshme rreth vendimit të Kosovës për hapjen e ambasadës në Kuds

    Pasi Kosova dhe Izraeli nënshkruan marrëveshje për vendosjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike midis të dyja vendeve, vendimi i Kosovës për të hapur ambasadë në Kuds, në drejtim të marrëveshjes në fjalë shkaktoi reagime të ndryshme.

    Disa qytetarë të Kosovës shprehen optimist ndërsa të tjerë janë kundër sidomos nismës për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Kuds.

    Në një prononcim për Anadolu Agency (AA) qytetari Behar Beqiri thotë se me rregulla të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) Kosova nuk do të duhej të hapte ambasadë në Kuds, por, ai është i mendimit se shteti më i ri i Evropës nuk do të duhej të hapte fare ambasadë në Izrael.

    “Sipas mendimit tim, e që është edhe mendim i muslimanëve në përgjithësi, ambasadat nuk duhet të hapen në Izrael assesi. Izraeli është një tokë e pushtuar i cili në fakt është i gjithi Palestinë. Izraeli është një shtet i krijuar prej Botës së jashtme, apo prej Amerikës, kështu që, nuk ka të bëjë aspak me një shtet normal. Andaj, ne nuk e pranojmë hapjen e ambasadës qoftë në Kuds qoftë në Tel Aviv”, theksoi Beqiri.

    Sejdi Halimi thotë se vendimin për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Kuds e ka marrë Qeveria e Kosovës dhe SHBA-ja, ndërsa pas këtyre, ai thotë se fjala e një qytetari nuk beson se do të çonte peshë.

    “Ju mund ta pyesni gjithë Kosovën, por, kur të vendosin Qeveria e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ‘aty vendoseni flamurin’ dhe nuk ka ndryshe”, thotë Halimi, i cili thekson se dëshira e tij është që pavarësinë e Kosovës ta njohin edhe mbi 100 shtete të tjera.

    “BE-ja në raport me Kosovën nuk ka drejtë të përzihet”

    Ilir Zeqiri thotë se sa i përket vendosjes së ambasadës së Kosovës në Kuds i ka penguar reagimi kundër i Bashkimit Evropian (BE). Sipas tij, BE-ja në raport me Kosovën nuk ka drejtë të përzihet, sepse nuk ua ka liberalizuar vizat qytetarëve, ndërsa kur është çështja e Kosovës në raport me vendet tjera “po kërcënon”.

    “Mendoj se Kosova duhet ta shikojë interesin nacional dhe strategjik dhe ta hapë ambasadën aty ku ka interes më shumë”, thotë Zeqiri.

    Sylë Hoti nga Prishtina, thotë se popujt e Kosovës dhe Izraelit kanë një histori të mirë të marrëdhënieve ndërsa thekson se nuk duhet shikuar se në cilin vend të Izraelit duhet të vendoset ambasada, por të shikohet zhvillimi dhe mirëqenia e qytetarëve.

    “Kjo nuk ka të bëjë më shumë se a hapet ambasada aty apo atje, më shumë ka rëndësi se si të zhvillohemi, të punojmë për gjeneratat e ardhshme të ketë një jetë të mirë”, thekson Hoti.

    Kosova nëpërmjet ministres në detyrë për Punë të Jasthme dhe Diasporë Meliza Haradinaj-Stublla dhe Izraeli nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme Gabriel Ashkenazi nënshkruan më 1 shkurt marrëveshje për vendosjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike midis të dyja vendeve.

    Kjo marrëveshje sipas kryeministrit kosovar në detyrë, Avdullah Hoti, derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë në Washington, ku ai kishte komunikuar nëpërmjet telefonit me kryeministrin izraelit Benjamin Netananjahu.

    Hoti dhe Haradinaj-Stublla theksuan pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje se tani mbetet që Kosova dhe Izraeli të zhvillojnë takime për të konkretizuar Ambasadën e Kosovës në Kuds.

  • Katari ofron ndihmë financiare për familjet në nevojë në Gaza

    Katari të enjten do të shpërndajë ndihmë financiare për 100.000 familje palestineze në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).

    “Një shumë prej 100 dollarësh do të shpërndahet për çdo familje në nevojë”, tha në një deklaratë Mohamed al-Emadi, kreu i Komitetit të Katarit për Rindërtimin e Gazës.

    Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, të dielën premtoi ndihmë prej 360 milionë dollarësh për territorin palestinez.

    Agjencia zyrtare e lajmeve QNA tha se granti do të përdoret “për të paguar pagat e punonjësve, për të siguruar ndihmë financiare për familjet në nevojë dhe për të operuar stacionet elektrike me qëllim që të kufizohet përkeqësimi i situatës humanitare dhe kushtet e vështira të jetesës”.

    Komiteti i Katarit për Rindërtimin e Gazës, i lidhur me Ministrinë e Punëve të Jashtme, zbaton dhjetëra projekte jetësore në Gaza përveç shpërndarjes së rregullt të pagave mujore për familjet e varfra.

    Rreth dy milionë palestinezë jetojnë në Gaza dhe ai rajon ka qenë nën një bllokadë të plotë tokësore, ajrore dhe detare nga Izraeli që nga viti 2006.

  • Erdoğan teston autobusin elektrik pa drejtues të zhvilluar nga inxhinierët turq

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se në takimin e kabinetit shkuan me Atak Electric, autobusin e parë elektrik në botë të prodhuar në seri në nivelin 4 pa drejtues të zhvilluar nga inxhinierët turq, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Erdoğan postoi nga llogaria e tij në Twitter pamjet gjatë testimit të autobusit elektrik që zhvilluan në rezidencën presidenciale në Ankara.

    “Në takimin tonë të kabinetit po shkojmë me Atak Electric, autobusi i parë elektrik pa drejtues në botë i prodhuar në seri në nivelin 4 nga inxhinierët turq”, tha Erdoğan.

  • Organizatat turke dhurojnë ndihmë për nevojtarët në Kosovë

    Fondacioni Humanitar IHH nga Turqia, në bashkëpunim me Shoqatën WEFA nga Austria, Shoqatën Sadakataşı, Bursa Fetih-Der, Shoqatën ONhayat nga Gjermania dhe Fondacionin e Jetimave të Kosovës, do të shpërndajë ushqim dhe qymyr për 700 familje në nevojë dhe pallto dimri për 420 jetima, raporton Anadolu Agency (AA).

    Osman Atalay, anëtar i bordit të IHH-së, tha për AA se ata synojnë që gjatë një jave t’ua dhurojnë familjeve nevojtare ndihmat e ardhura nga Turqia dhe Evropa dhe se prioritet do të jenë personat e moshuar dhe jetimat, pa dallime etnike.

    Atalay tha se nevojtarët nuk duhet harruar as gjatë periudhës së vështirë të pandemisë.

    “Ne erdhëm këtu me ndihmat e donatorëve tanë në këto ditë të vështira si një dorë ndihme nga Turqia, për jetimat dhe familjet nevojtare, që janë goditur më keq në periudhën e pandemisë”, theksoi ai.

    Ndërkaq, Hasan Yetiş nga Shoqata WEFA tha se falënderoi ata që kanë ofruar ndihmë.

    Shpërndarja e ndihmave që filloi në Skenderaj, Fushë Kosovë dhe Mitrovicë tek veteranët e luftës dhe komunitetet pakicë, do të vazhdojë në qytetin e Prizrenit.

  • Abdurrahman ef. Bejtullahu shpërblehet me mirënjohje nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini

    Koordinatori i Shoqatës Humanitare Bamirëse, “Bereqeti”, në Gjakovë, Abdurrahman ef. Bejtullahu është shpërblyer nga kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini, me mirënjohje për kontributin e tij të pashoq në çështjet humanitare gjatë kohës së pandemisë.
    Abdurrahm ef. Bejtullahu që njihet për aktivitete humanitare nga rajoni i Gjakovës, por edhe nga të gjitha trevat shqiptare është vlerësuar maksimalisht nga kryetari i kësaj komune për kontributin që ka dhënë në vazhdimësi për familjet me kushte të rënda ekonomike.
    Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, u shpreh tejet falenderues ndaj “Bereqetit” dhe në veçanti ndaj Abdurrahman ef. Bejtullahut për punën e palodhshme gjatë pandemisë, në shërbim të familjeve që kanë pasur nevojë për produkte elementare të jetesës.
    “Ju bashkë me shoqatën jeni pranë qytetarëve të komunës tonë, në kohë të mira dhe ato më të vështirat. Prandaj, nuk është asnjëherë e mjaftueshme për të shprehur mirënjohjen tonë të sinqertë”, tha ndër të tjera Ardian Gjini.
    Koordinatori i “Bereqetit”, Abdurrahman Bejtullahu tash e disa vite mbetet i angazhuar maksimalisht që t’u gjindet pranë familjeve në nevojë në mënyra të ndryshme, e në veçanti gjatë kohës së pandemisë dhe stinës së dimrit, ku për shumë familje kjo gjendje është bërë e papërballueshme.
    “Bereqeti” në Gjakovë gjithnjë falë donatorëve që kanë mbështetur këtë shoqatë u ka dalë në ndihmë familjeve në nevojë me produkte ushqimore, higjineike, dru për ngrohje, por edhe me rindërtimin e shtëpive, ndërtimin e shtëpive, blerjen e banesave dhe mënyra tjera, vetëm e vetëm që t’iu dalë në ndihmë këtyre familjeve.

  • Zbulohet xhamia antike e shekullit të 7-të në Izrael (FOTO)

    Pikërisht në jug të Izraelit në Detin e Galilesë, është zbuluar një nga xhamitë më të hershme në Islam.

    Themelet e xhamisë, të gërmuara nga Universiteti Hebraik i Jerusalemit, tregojnë ndërtimin e shkatërruar afërsisht një brez pas vdekjes së Profetit Muhamed, duke e bërë atë një nga shtëpitë më të hershme të besimit mysliman për t’u studiuar nga arkeologët.

    “Faza e hershme e xhamisë, e cila është me të vërtetë emocionuese, sepse është një mundësi e vërtetë për të gërmuar një xhami të hershme”, thotë Katia Cytryn-Silverman,  pedagoge në Institutin e Arkeologjisë dhe Departamentin për Studime të Islamit dhe Lindjes së Mesme.

    Kur u ndërtua xhamia, Tiberias kishte qenë një qytet i udhëhequr nga myslimanët për mbase një gjeneratë, raporton AP, transmeton Klan Kosova.

    Emëruar sipas perandorit të dytë të Romës, qyteti ishte gjithashtu një qendër kryesore e jetës dhe studimeve të hebrenjve për gati pesë shekuj.

    Para pushtimit të tij nga ushtritë myslimane në 634, qyteti bizantin ishte shtëpia e një prej plejadës së vendeve të shenjta të krishtere që përshkonin kodrat përreth Detit të Galilesë.

    Nën sundimin mysliman, Tiberia u bë një kryeqytet krahinor i perandorisë së hershme islamike dhe u rrit në famë, me halifët e hershëm që ndërtonin pallate në periferi të saj.

  • Biden nuk e ndryshon vendimin e Trumpit në lidhje me Kudsin

    Kuds

    Presidenti i SHBA-së, Joe Biden edhe pse ndryshoi shumë politika të paraardhësit të tij Donald Trump, nuk ndryshoi vendimin e Trumpit për zhvendosjen e Ambasadës së SHBA-së nga Tel Avivi në Kuds, shkruan Anadolu Agency (AA).

    Trump i cili u përshkrua nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu si “Miku më i mirë në Shtëpinë e Bardhë”, Trump pasiqë mori detyrën e presidentit solli vendime të shumta në interes të Tel Avivit.

    Gjatë periudhës së tij, vendimi më i diskutueshëm ishte njohja e “Kudsit si kryeqytet i Izraelit”, më 6 dhjetor të vitit 2020.

    Trump duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe duke injoruar të drejtat e palestinezëve, më 24 maj 2018 e zhvendosi Ambasadën Amerikane në Izrael në Kuds.

    Përveç kësaj administrata e Trumpit, ndërpreu ndihmat financiare për palestinezët dhe mbylli Zyrën e Organizatës Çlirimtare të Palestinës (PLO) në Washington.

    Trump së fundmi më 28 janar 2020 njoftoi planin e tij të paqes që synonte eliminimin e çështjes së palestinezëve dhe pushtimin e Bregut Perëndimor nga ana e Izraelit.

    Me ikjen e Trumpit, palestinezët filluan të marrin pakëz frymë

    Trump, i cili gjatë mandatit të tij shtoi presion ndaj qeverisë së Palestinës, me humbjen e zgjedhjeve presidenciale më 3 nëntor 2020, situata filloi të kthehej në favor të palestinezëve.

    Zv/Përfaqësuesi i Përhershëm i SHBA-së në Kombet e Bashkuara (OKB), Richard Mills, më 26 janar njoftoi se administrata e Bidenit do të riaktivizojë ndihmën për Palestinën, e cila ishte ndërprerë më parë dhe se Zyra e PLO-së në Washington do të rihapet.

    Mills tha se administrata e re përkrah zgjidhjen me dy shtete në çështjen Palestinë-Izrael.

    Ambasada e SHBA-së do të vazhdojë të qëndrojë në Kuds

    Megjithëse rifillimi i ndihmës financiare për palestinezët dhe rihapja e Zyrës së PLO-së në Washington ishin hapa të rëndësishëm, por pritja më e madhe e palestinezëve nga administrata e Bidenit ishte tërheqja nga vendimi i Trumpit në lidhje me Kudsin.

    Biden në prill 2020 në një deklaratë tha se nëse zgjidhet president i SHBA-së ai do të vazhdojë ta mbajë në Kuds Ambasadën amerikane në Izrael.

    Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken më 20 janar u përgjigj në pyetjet e senatorëve para se kandidatura e tij të miratohej në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit, ku tha se administrata e re nuk do të bënte ndonjë ndryshim në vendimin e Trumpit në lidhje me Kudsin.

    Blinken tha se pranon që Kudsi është “kryeqyteti i Izraelit” dhe se do të vazhdojnë ta mbajnë Ambasadën e SHBA-së në Izrael në Kuds.

    Vendimi në lidhje me Kudsin është një nga pengesat më të mëdha për një zgjidhje me dy shtete

    Një nga arsyet më të rëndësishme përse çështja Palestinë-Izrael nuk është zgjidhur për shumë vite me radhë sigurisht që është e ardhmja e Kudsit.

    Qeveria e Palestinës zgjidhjen me dy shtete e kushtëzon me krijimin e shtetit palestinez me kryeqytet Kudsin Lindor ashtu siç ishte në vitin 1967. Ndërsa Izraeli e kundërshton këtë duke pretenduar se “i gjithë Kudsi është i Izraelit”.

    Palestina kërkon që i gjithë Bregu Perëndimor i okupuar të jetë në territorin e Palestinës së pavarur ndërsa Izraeli nuk ka plan që t’i evakuojë vendbanimet ilegale hebraike në Bregun Perëndimor.

    Vendimi i Trumpit në lidhje me Kudsin, e që administrata e Bidenit nuk bëri asnjë ndryshim, pothuajse e bën të pamundur një zgjidhje me dy shtete për çështjen Palestinë-Izrael.

    Ndërkaq, me këtë vendim, kushti për krijimin e një shteti të pavarur palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet të Palestinës është harruar dhe “i gjithë” Kudsi njihet si pjesë e Izraelit.

  • Dita Botërore e Mbulesës mbahet më 1 shkurt, transmetohet direkt në Rtv Pendimi

    Dita Botërore e Mbulesës mbahet më 1 shkurt, transmetohet direkt në Rtv Pendimi

    Ju njoftojmë se Dita Botërore e Mbulesës në Kosovë mbahet me 1.Shkurt 2021 (e hënë). Transmetimin direkt mund ta ndiqni në Rtv Pendimi.

    World Hijab Day Kosovo ka nderin t’ju ftojë të ndiqni Live KONFERENCËN E TRETË kushtuar Mbulesës Islame, e cila do të mbahet me rastin e nismës botërore World Hijab Day 2021.

    World Hijab Day Kosovo është një nismë vullnetare që ka për qëllim ndërgjegjësimin e opinionit ndaj diskriminimit të vajzave dhe grave në përgjithësi, dhe të vajzave dhe grave që manifestojnë fenë nëpërmjet veshjes së tyre në veçanti.

    Tribuna do të transmetohet live Rtv-Pendimi (Radio dhe TV) si dhe në faqet zyrtare të @WorldHijabDayKosovo dhe
    @Rtv-Pendimi.
    1 Shkurt 2021,
    Ora: 16.00
    #Shpërndaje

  • “Kosova vazhdon të stagnojë në luftën kundër korrupsionit”

    Rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2020 konfirmojnë vazhdimin e stagnimit të Kosovës në luftën kundër korrupsionit, raporton Anadolu Agency (AA).

    Kështu është thënë në një konferencë për media nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ku u shpalos CPI për këtë vit, e përgatitur nga organizata “Transparency International”.

    KDI thekson se viti 2020 është viti i dytë me radhë i Kosovës që shënoi 36 pikë duke u renditur në pozitën e 104-të së bashku me Shqipërinë, Algjerinë, Bregun e Fildishtë, El Salvadorin, Vietnamin dhe Tajlandën.

    Adelina Hasani, hulumtuese në KDI, tha se këto rezultatet tregojnë se Kosova ka nevojë urgjente të përqendrohet në tre fusha në mënyrë që të bëjë përparim: në pavarësinë e sistemit të drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës në fushën e prokurimit publik.

    “Ndërhyrja e vazhdueshme politike në punën e gjyqësorit ka minuar punën e pavarur dhe profesionale të sistemit gjyqësor në Kosovë”, ka thënë Hasani.

    Gjithashtu Hasani bëri të ditur se gjendja e jashtëzakonshme e shkaktuar si rezultat i pandemisë COVID-19 ka shkaktuar rritje të mundësisë për korrupsion në Kosovë, në sektorin e shëndetësisë në veçanti.

    Sipas KDI-së, në nivel rajonal, krahasimi i rezultateve me ato të vitit të kaluar tregon se i gjithë rajoni po kalon nëpër një periudhë stagnimi dhe vetëm Shqipëria ka shënuar një rritje me 1 pikë krahasuar me vitin e kaluar. Mesatarja e Evropës ku pretendohet të jenë vendet e Ballkanit është 66 pikë ndërsa sipas KDI asnjëra nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk afrohen kësaj mesatare.

    Në aspektin global, nga 180 vende të përfshira në vlerësimin e “Transparency International”, Danimarka dhe Zelanda e Re ndajnë pozitën e parë me 88 pikë, të ndjekura nga Finlanda, Singapori, Suedia dhe Zvicra me 85 pikë. Vendin e fundit në botë e mban Somalia me 10 pikë.

    “Transparency International” (TI), përdor një metodologji të sofistikuar shkencore dhe raportin e bazon kryesisht në raportet kredibile nga organizata ndërkombëtare si Freedom House, World Bank, Bertelsmann Foundation, World Justice Project ROLI, Global Insight dhe Varieties of Democracy Project. Indeksi shfrytëzon sistemin e vlerësimit prej 100 shkallësh në të cilin vlerësimi maksimal do të thotë ‘vend i pastër nga korrupsioni’ kurse vlerësimi prej zero pikë do të thotë ‘vend shumë i korruptuar’.

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline