Category: Lajme

  • Biden heq ndalesën e udhëtimit për vendet muslimane

    Presidenti i SHBA-së, Joe Biden të mërkurën i dha fund ndalesës së vendosur nga paraardhësi i tij për udhëtime nga disa vende me shumicë muslimane, të cilat administrata e re i quajti “diskriminuese”, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Biden nënshkroi urdhrin ekzekutiv në Zyrën Ovale pasi bëri betimin, duke u bërë presidenti i 46-të i vendit.

    Në shpallje, ai u shpreh se SHBA-të “u ndërtuan mbi themelin e lirisë dhe tolerancës fetare, parim ky i vendosur” në kushtetutën e vendit.

    Trump shpalli ndalesën në mars të vitit 2017 me urdhër ekzekutiv të ndjekur nga shpalljet që prezantuan aftësitë dhe proceset e verifikimit, duke u thirrur në tentimin e hyrjes së “terroristëve” ose “kërcënimeve të sigurisë publike”, në përpjekje për të parandaluar hyrjen e individëve në SHBA nga vendet muslimane dhe disa vende të tjera afrikane.

    “Siguria jonë kombëtare do të rritet duke hequr Urdhrin Ekzekutiv dhe Shpalljet”, tha Biden, duke urdhëruar të gjitha ambasadat dhe konsullatat amerikane të rifillojnë përpunimin e vizave në përputhje me vendimin.

    Kufizimet ishin “të rrënjosura në armiqësi fetare dhe ksenofobi”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki para gazetarëve në një konferencë për media.

    Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR) e mirëpriti vendimin, duke e quajtur atë “hapi i parë i rëndësishëm drejt zhbërjes së politikave anti-muslimane dhe anti-emigrante të administratës së mëparshme”.

    “Kjo është përmbushje e rëndësishme e premtimit të fushatës për komunitetin musliman dhe aleatët e tij”, theksoi Nihad Awad, kryetari i organizatës më të madhe muslimane të të drejtave civile në vend.

    Ish-presidenti amerikan Donald Trump përmes një dekreti në vitin 2017 u ndaloi hyrjen në SHBA shtetasve nga 7 vendet me shumicë muslimane si Iraku, Libia, Siria, Irani, Sudani, Somalia dhe Jemeni.​​​​​​​

  • OKB: Të paktën 43 të vdekur nga fundosja e një barke me migrantë në ujërat e Libisë

    Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se të paktën 43 persona humbën jetën si rezultat i fundosjes së një barke me migrantë të parregullt në ujërat e Libisë në Detin Mesdhe, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Në një deklaratë të përbashkët me shkrim nga Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe Organizata Ndërkombëtare e Migracioninit (IOM), është shprehur shqetësim për marrjen e lajmit për fundosjen e barkës më 19 janar.

    Deklarata thekson se të paktën 43 migrantë të parregullt humbën jetën në “aksidentin e parë tragjik me barkë” në Mesdhe në vitin 2021. Po ashtu thuhet se dhjetë persona janë shpëtuar nga barka e fundosur dhe janë dërguar në breg nga ekipet e rojeve bregdetare të qytetit libian Zuvara.

    Siç raportohet, motori i barkës u ndal disa orë pasi ajo u nis nga qyteti Zaviye në orët e para të ditës së djeshme dhe u përmbys për shkak të kushteve të këqija të motit.

    Shumica e migrantëve të parregullt të shpëtuar janë nga Bregu i Fildishtë, Nigeria, Gana dhe Gambia dhe të gjithë të vdekurit ishin nga vendet e Afrikës Perëndimore, njoftohet më tej.

    Të dy institucionet e OKB-së i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar pas “aksidentit të fundit tragjik”, duke kërkuar një rishikim urgjent të qasjeve ndaj situatës në Mesdhe.

    Qindra migrantë të parregullt që u përpoqën të arrijnë në bregdetin evropian vdiqën në aksidente të ndryshme me barka në Mesdhe në vitin 2020.

  • Kosovë, tre xhami të dëmtuara dhe një e rrënuar tërësisht si pasojë e vërshimeve të 11 janarit

    Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila njoftoi se ka themeluar një komision të përkohshëm të përbërë të cilët kanë vizituar dhe inspektuar xhamitë e përmbytura nga vërshimet për vlerësimin e dëmeve në objektet fetare-xhami

    Tre xhami janë dëmtuar dhe një është rrënuar tërësisht në territorin e Kosovës si pasojë e vërshimeve që ndodhën pas reshjeve të shiut dhe borës javën e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Këto të dhëna i bëri të ditur Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila ka themeluar një komision të përkohshëm të përbërë nga tre anëtarë të kësaj bashkësie, të cilët kanë vizituar dhe inspektuar xhamitë e përmbytura nga vërshimet për vlerësimin e dëmeve në objektet fetare-xhami.

    “Nga vërshimet dhe përmbytjet e datës 11 janar 2021 u konstatua se janë dëmtuar xhamia e fshatit Konjuh, xhamia e fshatit Banullë të Lipjanit, së bashku me objektet përcjellëse, xhamia e fshatit Vojnoc (Zotaj) të komunës së Shtimes, si dhe xhamia e vjetër e fshatit Livoq i Epërm, në komunën e Gjilanit, e cila si pasojë e vërshimeve është rrënuar tërësisht”, njofton BIK.

    Sipas BIK-ut, xhamitë e vërshuara nga uji, me përjashtim të xhamisë së vjetër të fshatit Livoq i Epërm, vazhdojnë të jenë funksionale pas tërheqjes së ujit, derisa për pjesët e dëmtuara u vendos që në bashkëpunim me këshillat përkatëse dhe me ndihmën e xhematit të sanohen dëmet në afatin sa më të shpejtë të mundshëm.

    Gjithashtu, BIK sugjeron që në bashkëpunim me organet kompetente komunale të gjendet sa më shpejtë një zgjidhje për rregullimin e infrastrukturës, “me qëllim që rastet e tilla të depërtimit të ujit në xhami të mos përsëriten në të ardhmen”.

    Vërshimet që ndodhën javën e kaluar si shkak i reshjeve të pandërprera, prekën disa rajone të territorit të Kosovës. Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili ka vizituar po ashtu nga afër disa nga zonat më të dëmtuara, ka theksuar qeveria do të evidentojë dëmet e bëra në pronën publike dhe private ndërsa do bëjnë përpjekje që të kompensojnë familjet që janë në kushte më të vështira jetese.


  • Jeta e përditshme e migrantëve në BeH, larja në ujë të ftohtë me temperatura nën zero

    Një ditë e migrantëve të vendosur në kampin “Lipa” jo shumë larg Bihaçit të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) fillon me larjen e rrobave dhe shpërlarjen e tyre në ujin e ftohtë të një përroi aty afër.

    Tashmë në orët e hershme të mëngjesit, grupe migrantësh nga kampi lëvizin përgjatë rrugës së ngrirë drejt përroit, të mbështjellë me batanije dhe në duart e tyre me sendet themelore për higjienë personale.

    Afër përroit jo shumë larg kampit, ekipi i Anadolu Agency (AA) regjistroi pamje që pasqyrojnë gjendjen e migrantëve në ditët e ftohta të dimrit në BeH. Reflektimi i trishtuar i Lavli Pasin në një pasqyrë prej vetëm disa centimetra në një kornizë plastike të kaltërt flet shumë më tepër sesa fjalët.

    Ky indian 40-vjeçar ka qenë në BeH për një vit. Qëllimi i tij, siç tha ai për AA, është të arrijë në Bashkimin Evropian (BE), konkretisht në Itali. Ai nuk dëshiron të qëndrojë në BeH.

    Ndërsa Amun Amed nga Bangladeshi ka qenë në BeH për rreth tre muaj. Ai është 25-vjeçar dhe dëshiron të arrijë në Itali ose Francë. Edhe ai, siç tha, iu drejtua përroit ku do të lahej me shpresën se nuk do të ketë pasoja për shëndetin e tij.

    Situata në kampin “Lipa” prej ditësh nuk ka ndryshuar. Ekipet e gazetarëve nuk kanë qasje në çadrat e Forcave të Armatosura të BeH-së, të vendosura pas zjarrit të fundit ku u dogjën çadrat në të cilën migrantët deri atëherë qëndruan.

    Kolonat e njerëzve të mbështjellë me batanije nga kampi lëvizin drejt përroit aty pranë dhe mbrapa, ndërsa nga disa vende ngrihet tym nga zjarri i ndezur për ngrohje pas larjes në ujin e ftohtë ose përgatitjes së vakteve. Temperaturat në këtë zonë jo larg Bihaçit, arrijnë deri në 15 gradë celsius nën zero gjatë natës.

    Funksionaliteti i plotë i kampit, siç është paralajmëruar më herët, pritet për rreth tre muaj. Në kampin “Lipa” qëndrojnë mbi 700 migrantë. BE, kufijtë e së cilës janë mbyllur për migrantët, më parë lëshuan paralajmërim ndaj BeH-së për shkak të menaxhimit të keq të krizës me migrantët.

    Autoritetet lokale disa herë kanë kërkuar shpërndarjen e barabartë të barrës së krizës me migrantët në rajonin e mbarë BeH-së, si dhe forcimin e kontrollit të kufirit lindor.

  • Dizajn i ri i aplikacionit Rtv Pendimi për Android dhe iOS

    Dizajn i ri i aplikacionit Rtv Pendimi për Android dhe iOS

    Aplikacioni i Rtv Pendimit, shërbimi përmes të cilit vizitorët kanë mundësi të dëgjojnë radio të shikojnë tv dhe të informohen për emisionet dhe shumë çka tjetër është bërë me dizajnë të ri dhe tani është aktive edhe për sitemin Android dhe iOS.

  • Përmirsohet gjendja e hoxhës Zekerija Bajrami

    Përmirsohet gjendja e hoxhës Zekerija Bajrami

    Pas një mjekimi të vazhdueshëm njëjavor, ju njoftojmë se babai ka pak përmirësim në shëndetin e tij, megjithëse mjekimi sipas mjekëve profesionistë duhet të vazhdojë në mënyrë serioze edhe më tutje.

    Lutemi që Allahu t’ia lehtësoje dhe ta shërojë.

    Kërkojmë ndjesë nëse nuk kemi mundur të u përgjigjemi një nga një, të gjithë atyre që kanë pyetur dhe janë interesuar.

    Allahu ju shpërbleftë për mirëkuptim.

    Hoxhë Omer Bajrami

     

     

     


  • Trashësia e borës deri në 5 metra në provincën lindore të Turqisë, mobilizohen ekipet e intervenimit

    Reshjet e bores kanë krijuar trashësi deri në 5 metra në disa pjesë të rrugëve rurale në provincën lindore turke Muş, ndërsa ekipet kompetente po punojnë pandërprerë për pastrimin e tyre për të siguruar qarkullim të lirë për banorët, raporton Anadolu Agency (AA).

    Ekipet po vazhdojnë punën në rrugët e grupit të fshatrave Üçevler përkundër kushteve të këqija atmosferike, përfshirë edhe rënien e distancës së shikueshmërisë deri në 3 metra në disa zona.

    Şeyhmus Yentür, zyrtar lokal, u tha gazetarëve se bora tashmë 4 ditë ka shkaktuar mbyllje të rrugëve në lartësi të mëdha, duke shtuar se rrugët janë bllokuar sërish pas pastrimit për shkak të stuhisë.

    Ekipet e pastrimit të borës po përjetojnë vështirësi për shkak të stuhisë, tha ai, duke shtuar se punët janë përshpejtuar me uljen e intensitetit të furtunës.

    “Për shkak të furtunës, në disa zona ka borë deri në 5 metra”, tha Yentür.

    Ndërkaq, Nazım Diner, shefi i ekipet të intervenimit, tha se rrugët mbyllen sërish përkundër pastrimit për shkak të kushteve atmosferike.

    “Vende-vende ka borë në trashësi prej 5 metrash. Së shpejti do t’i pastrojmë rrugët e fshatrave”, theksoi ai.

  • Sot nis gjysmë-vjetori i dytë i procesit mësimor

    Pas 30 ditësh pushim, më shumë se 345 mijë nxënës të nivelit para-universitar sot do t’u rikthehen bankave shkollore.

    Gjysmë-vjetori i dytë i viti shkollor do të fillojë sipas skenarit A dhe varësisht nga gjendja me pandemi, mund të kalojë në skenarin B – mësim i kombinuar ose mësim online, si pjesë e skenarit të tretë C nga MASH.

    Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj, ka uruar dje nxënësit e mësimdhënësit me rastin e fillimit të gjysmë-vjetorit të dytë të procesit mësimor.

    Ndërsa, Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) ka bërë me dije se përkrah rifillimin e procesit mësimor më 18 janar, por kujton se nëse institucionet nuk reflektojnë, atëherë nuk e përjashtojnë grevën e përgjithshme në arsim.

    SBASHK-u kërkon paga shtesë për çdo punëtor të arsimit prej 100 euro në muaj me arsyetimin se e kanë rrezikuar shëndetin duke punuar në shkolla gjatë pandemisë me koronavirus.

    Kjo sindikatë po ashtu kërkon kontratë kolektive të përhershme për punëtorët e arsimit, e cila ndër tjerash, do të parashohë tri paga me rastin e pensionimit, nga një pagë jubilare dhe shujta.

    Ndryshe, gjysmë-vjetori i parë i procesit mësimor përfundoi më herët se sa ishte planifikuar për shkak të gjendjes me koronavirus në vend, ndërsa pjesa e dytë e procesit mësimor pritet të përfundojë në muajin qershor.

  • Unioni Botëror i Dijetarëve Myslimanë paralajmëroi për racizëm dhe diskriminim etnik

    Ali Muhyiddin Al-Karadagi, Sekretari i Përgjithshëm i Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë, paralajmëroi për racizëm dhe diskriminim etnik, të cilat janë përsëri në rritje.

    Karadagi në mesazhin e postuar në llogarinë e tij në Facebook, vuri në dukje se racizmi dhe diskriminimi etnik janë një rrezik i madh për njerëzimin, ndërsa shtoi se ky problem ka shkaktuar konflikte, trazira dhe poshtërime gjatë gjithë historisë.

    Duke theksuar se ligjet hyjnore dhe ato ndërkombëtare ndalojnë racizmin dhe diskriminimin etnik me në krye islamin, ndërsa bëjnë thirrje që t’i kushtohet vëmendje e veçantë arritjes së barazisë njerëzore, Karadagi ftoi gjithë njerëzit që të bashkohen dhe të bëjnë çdo përpjekje për të eliminuar racizmin dhe diskriminimin etnik.

    Karadagi në mesazhin e tij theksoi se racizmi është shfaqur përsëri fuqishëm nën pretekstin e luftimit të përhapjes së islamit, ndërsa shtoi se kanë paralajmëruar Perëndimin dhe të tjerët kundër racizmit dhe efekteve të tij shkatërruese në të gjithë njerëzimin, e jo vetëm për myslimanët.

  • Rritet në 73 numri i viktimave nga tërmeti në Indonezi

    Është rritur në 73 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmeti me fuqi prej 6.2 ballë që ndodhi më 15 janar në provincën Sulawesi Perëndimor të Indonezisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Kreu i Qendrës së informacionit dhe komunikimit të Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB), Raditya Jati tha se 27.850 personat e evakuuar për shkak të tërmetit janë vendosur në zona të sigurta në 25 pika të ndryshme.

    Jati bëri të ditur se numri i personave që kanë humbur jetën ka arritur në 73 prej të cilëve 9 persona në qytetin Majene dhe 64 persona në rajonin Mamuju.

    Ai theksoi se nga tërmeti janë plagosur rëndë 253 persona të cilët vazhdojnë trajtimin në spitale dhe se në rajon po vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit.

    Agjencia e Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës (BMKG) kishte njoftuar se tërmeti i 15 janarit i cili u raportua të jetë regjistruar në një thellësi prej 10 kilometrash dhe 6 kilometra në verilindje të qytetit Majene, është ndjerë edhe në qytetet Palu dhe Makasar.

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline