Category: Lajme

  • “2021, vit i mbijetesës në shumë sektorë të ekonomisë së Kosovës”

    Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) konsideron se edhe viti 2021 do të jetë vit i mbijetesës në shumë sektorë të ekonomisë së vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

    Duke folur rreth masave të miratuara për rimëkëmbje të ekonomisë nga Qeveria me vlerë prej 222.4 milionë eurove, nga të cilat 6.5 milionë janë ndarë për bizneset e vogla, kryetari I OEK-ut, Berat Rukiqi thotë se sektori privat është i pakënaqur me këtë shumë.

    “Supozojmë se me 60 milionë sa kanë qenë të ndara herën e kaluar, bizneset i kanë përfituar mesatarisht nga 290 euro, tani me 6.5 milionë euro mund të ta merrni me mend sa është shuma që mund ta fitojnë bizneset nga subvencionimi i pagave. Do të thotë do të jetë shumë jashtëzakonisht e vogël”, tha Rukiqi.

    Ai thekson se edhe viti 2021 do të jetë vit i mbijetesës në shumë sektorë, por, OEK do të vazhdojë të merret me mundësitë dhe zgjidhjet për tejkalimin e problemeve ekonomike të vendit. Rukiqi tha se një nga elementet që presin të ndodhë pas pandemisë është rritja e investimeve në disa sektorë.

    “Me jostabilitetin politik që ka Kosova (me të cilin e ka filluar vitin) dhe ka shenja që edhe të vazhdojë gjatë vitit do të jetë shumë e vështirë të kemi një rikuperim të asaj çfarë është humbur në vitin e kaluar që sipas Bankës Botërore dhe shumë institucioneve tjera dhe raporteve tjera ekonomike është tkurrje ekonomike me mbi 8 për qind”, theksoi ai.

    OEK pret që partitë politike që pretendojnë të hynë në Qeverinë e ardhshme, t’i përgjigjen sektorit privat se nga do ta sigurojë Kosova energjinë elektrike në 10 apo 20 vitet e fundit, si do ta rrisë eksportin, sa do të punojë në tërheqjen e investimeve të huaja, dhe sa do të ndiqen trendet e reja, që janë të lidhura me digjitalizimin.

  • Ekrem ef. Simnica, priti sot në takim imamin e Bashkësisë Islame Shqiptare “Asr”, në Gjermani, Xhelal ef. Kaloshin

    Ekrem ef. Simnica, priti sot në takim imamin e Bashkësisë Islame Shqiptare “Asr”, në Gjermani, Xhelal ef. Kaloshin

    Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësinë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, priti sot në takim imamin e Bashkësisë Islame Shqiptare “Asr”, në Gjermani, Xhelal ef. Kaloshin.

    Drejtori Siminca falënderoi imamin Kaloshi dhe nëpërmes tij tërë mërgatën tonë shqiptare që gjendet në diasporë për kontributin e tyre dhënë për mirëqenien dhe jetën e përgjithshme fetare të shqiptarëve atje. Ai shprehu gatishmërinë e tij, por edhe të institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës që bashkëpunimi i mirë që ka qenë deri më tani, ndërmjet BIK-ut dhe diasporës të vazhdojë edhe më tutje.

    Nga ana e tij, imami Kaloshi u shpreh tejet falënderues për mikpritjen si dhe për angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës për ruajtjen e bashkëpunimit me shqiptarët e diasporës duke potencuar se bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i aktiviteteve fetare ndërmjet BIK-ut dhe mërgatës duhet të vazhdojë edhe më tutje.

  • Kosovë, 22 vjet pas masakrës së Reçakut akoma nuk ka llogaridhënie

    Masakra që ndodhi në fshatin Reçak të Kosovës 22 vjet më parë është ende shkaku i anktheve që shpesh i përjeton Ramë Shabani, një nga të mbijetuarit e kësaj masakre.

    Më 15 Janar 1999, në fshatin Reçak të Shtimes, forcat policore-ushtarake, si dhe paramilitare serbe, vranë dhe masakruan 45 civil shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq, gra dhe fëmijë.

    Të nesërmen, më 16 janar, Reçakun e vizitoi shefi i atëhershëm i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Wallker, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur. Pasi vizitojë fshatin dhe u ngjitë lartë te vendi i quajtur “Gropa e Bebushit”, aty ku sot gjendet Kompleksi Memorial i Reçakut, ndërsa po afrohej tek lugu i ngushtë, ambasadori Walker u tmerrua nga pamjet e kufomave dhe pa hezituar në ato momente deklaroi, “Nga ajo që pashë, ishte evidente se kemi të bëjmë me masakër dhe krim kundër njerëzimit”.

    Masakra e Reçakut, sipas Shabanit, ishte kyçe për të ndryshuar qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj luftës në Kosovë dhe çoi në bombardimet e NATO-s në Serbi.

    Humbi vëllaun dhe 11 të afërm

    Ramë Shabani ishte 33-vjeçar kur më 15 janar 1999 forcat serbe të sigurisë kryen masakrën e Reçakut, një fshat në komunën e Shtimes.

    Duke folur për Anadolu Agency (AA), Shabani para memorialit të fshatit thotë se në masakër ai humbi vëllain e tij 22-vjeçar Bajrush Shabani dhe 11 të afërm.

    Ai thotë se 41 persona u vranë në masakër. Tre njerëz të tjerë u vranë individualisht në fshat në ato ditë, ndërsa kufoma e një gruaje nuk është gjetur deri më sot. Sipas tij, viktimat e masakrës ishin burra, gra dhe fëmijë të moshës mbi 15 vjeç, ndërsa një viktimë u gjet pa kokë dhe një tjetër pa zemër.

    Para luftës, fshati kishte rreth 230 shtëpi, por në kohën e masakrës ishte tejet i boshatisur. Disa banorë të zonës po luftonin, disa shkuan në vendet përreth dhe vazhdimisht kishte 100 deri në 150 njerëz në fshat. Sipas rrëfimit të Ramës, gruaja e tij ishte me të birin në Ferizaj, kështu që ajo nuk ishte në fshat në kohën e masakrës.

    Rama thotë se më 15 janar 1999, granatimet filluan rreth orës 7 të mëngjesit.

    “Ne jemi tubuar në shtëpinë e Sadik Osmanit, ishim më shumë se 30 burra, gra dhe fëmijë. Jemi tubuar se ishte edhe mali afër, edhe ishte shtëpia me bodrum, jemi frikuar mos të granatohemi. Kur e kanë pushtuar fshatin, ata kanë hyrë dhe na kanë nxjerrë neve nga shtëpia e Sadik Osmanit, na kanë nxjerrë jashtë në oborr, na kanë rrahur, na kanë marrë gjithçka nga xhepat, letërnjoftimet. Unë në atë masakër jam zënë me nënën, gruan e axhës dhe vajzën shtatë vjeçare. Si fëmijë, ajo qau pas meje kur më mori policia dhe filloi të më rrahë”, thotë Shabani.

    Ai rikujton se në të njëjtën kohë, gratë i kanë mbyllur në atë bodrum ndërsa meshkujt i kanë urdhëruar të vinin duart pas dhe të drejtoheshin drejt vendit ku më pas u bë masakra në një kodër afër fshatit.

    Shabani thotë se u është thënë të lëvizin drejt “ushtrisë sonë”, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por në kodër i kanë pritur serbët.

    “Pastaj, siç e ka pa e gjithë bota, kanë dalë (forcat serbe) dhe i kanë masakruar. Unë u fsheha dhjetë metra më larg, nuk kam qenë më larg se nuk kishe ku të shkoje. Ishte dimër si sot, mali (pylli) ishte shumë më i vogël atëherë, tash është rritur”, thotë Shabani.

    Ai deklaron se kishte forca serbe në kodrat përreth, ndërsa në kodrën në anën tjetër të fshatit kishte vëzhgues të Komisionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, të cilët vëzhgonin gjithçka, por nuk mund të hynin në fshat.

    Sipas tij, kreu i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, hyri në fshat një ditë pas masakrës dhe pa kufomën e të moshuarit Banush Kamberi pa kokë, Ragip Bajramit pa zemër dhe kufomat e tjera, pas çka deklaroi se ishte një masakër dhe krim kundër njerëzimit.

    Vrasjet ndodhën në disa lokacione

    Vëllai më i vogël i Ramë Shabanit ishte 22 vjeç, ai nuk kishte fëmijë, ishte i ri dhe siç thotë Shabani, nuk ishte përzier me ushtrinë dhe ishte i pafajshëm si të tjerët.

    Ramë Shabani tregon se vrasjet ndodhën në disa lokacione në fshat dhe se në mbrëmjen e 16 janarit, banorët e të gjithë fshatrave përreth ndihmuan në transferimin e kufomave në xhaminë e fshatit, duke menduar se do të varroseshin për dy apo tre ditë më pas.

    Por, vendasit, së bashku me anëtarët e UÇK-së, luftuan për trupat e të vrarëve për tre ditë. Megjithatë, policia serbe mori trupat dhe i çoi në Prishtinë për autopsi. Ata i mbajtën për gati një muaj dhe më 11 shkurt i kthyen dhe vendasit i varrosën.

    “Pastaj tre ditë u luftua dhe u vra komandanti i brigadës Ahmet Kaçiku, edhe ata (forcat serbe) kanë pësuar humbje. Nuk kemi pasur zgjidhje, (forcat serbe) i kanë marrë (kufomat). Pastaj edhe një muaj, deri më 11 shkurt ne nuk kemi mundur t’i varrosim. Janë mbajtur nëpër qese, nëpër spitale. Dy-tre herë ka qenë kjo masakër, jo një herë. Dy-tre herë ka qenë për familjarët dhe për të gjithë që ndjenin dhembje, ka qenë dy-tre herë masakër”, thotë Ramë Shabani.

    Përveç një polici serb, askush tjetër nuk është mbajtur përgjegjës

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) dënoi masakrën ndaj shqiptarëve të Kosovës në Reçak dhe rreth dy muaj më vonë NATO filloi bombardimet ndaj Serbisë.

    “Masakra ka pasur në Kosovë, ka qenë e Obrinjes dhe masakra tjera para masakrës së Reçakut, por ajo që e ka tronditur botën është e Reçakut. Vula e Kosovës është Reçaku. Ndoshta fillimi, dokumentet janë te Adem Jashari, por vula për Kosovën, vetëm nëse nuk duam ta pranojmë realitetin, që e ka sjellë marrëveshjen e Rambujesë dhe Këshillin e Sigurimit është masakra e Reçakut”, tha Shabani.

    Ai thekson se përveç një polici serb, askush tjetër nuk është mbajtur përgjegjës për këtë krim dhe dëshmitarët, thotë ai, ngadalë po vdesin.

    Menjëherë pas luftës, në vitin 2001 gjykatësit e UNMIK-ut, Misionit të OKB-së në Kosovë, dënuan oficerin e policisë Zoran Stojanoviç me minimum 15 vjet burg për pjesëmarrje në vrasjen e 45 personave në fshatin Reçak.

    Masakra e Raçakut ishte midis akuzave për krime lufte para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.

    Ramë Shabani shpesh ka ankthe për gjithçka që ka mbijetuar. Megjithatë, ai thekson se dikush duhej të viktimizohej për këtë vend.

    “Them kurrë insha-Allah nuk përsëritet”, porosit Shabani.

  • Fondacioni IHH dërgon ndihma humanitare për refugjatët palestinezë

    Fondacioni humanitar turk IHH ka dërguar ndihma humanitare në mbi 150 familje refugjatësh palestinezë që jetojnë në kushte të vështira në një kamp në Libanin jugor, transmeton Anadolu Agency (AA).

    IHH me seli në Stamboll shpërndau ndihmat për familjet në nevojë në kampin Ein El Hilweh, kampi më i madh i refugjatëve në Liban ku jetojnë palestinezët.

    Furnizimet përfshijnë gjëra ushqimore bazë, si vaji, sheqeri dhe makaronat.

    IHH vazhdon aktivitetet e saj të ndryshme humanitare për familjet në nevojë, të cilat janë rritur në numër me shpërthimin e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), si dhe për shkak të krizës aktuale ekonomike në Liban.

    Gjithsej 22 agjenci turke humanitare, përfshirë IHH, kanë kryer një fushatë për refugjatët palestineze që vuajnë në kampet në Liban.

    Refugjatët palestinezë në Liban

    Refugjatët palestinezë në Liban jetojnë në 12 kampe, përkatësisht në Beddawi, Burj al-Barajnah, Burj Shemali, Dbayeh, Ein El Hilweh, El Buss, Mar Elias dhe Mieh Mieh, të gjitha të vendosura në rajone të ndryshme të vendit.

    Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), mbi 483 mijë refugjatë palestinezë jetojnë në Liban dhe kjo shifër rritet deri në 600 mijë me ata të paregjistruar.

    Përafërisht 62 për qind e refugjatëve palestinezë, të cilët përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë së Libanit, jetojnë në kampe ku infrastruktura dhe objektet sociale janë shumë të kufizuara, ndëra pjesa tjetër jetojnë rreth kampeve dhe në pjesë të ndryshme të vendit.

    Libani nuk pranon përgjegjësinë për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve pasi nuk është palë në Konventën e vitit 1951 dhe Protokollin e vitit 1967 në lidhje me statusin e refugjatëve.

    Libani është vendi i dytë ku refugjatët palestinezë u nënshtrohen më së shumti shkeljeve të të drejtave pas Izraelit.

  • U konstitua Këshilli Drejtues i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame

    Sot, në Prishtinë, u mbajt mbledhja konstituive e këshillit drejtues të Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame. Këshilli drejtues është emëruar nga Kryesia e Bashkësisë Islame, e po ashtu Kryesia e BIK-ut e ka miratuar edhe statutin e Institutit.
    Në mbledhjen konstituive qe i pranishëm edhe zv.kryetari i Kryesisë së BIK-ut, Ahmet ef. Rama, i cili iu dëshiroi suksese dhe mbarësi në punën e këtij Instituti, e po ashtu premtoi përkrahjen dhe mbështetjen e Kryesisë së BIK-ut për Institutin.
    Pas konstituimit, Këshilli drejtues, në bazë të kompetencave të parapara me statutin e Institutit, neni 11. Pika 13, Kryesisë së BIK-ut i propozoi për drejtor të Institutit, studiuesin e njohur të shkencave islame z. Sabri Bajgora.
    Sabri Bajgora në fjalën e tij, i falënderoi të gjithë anëtarët për besimin e dhënë, si dhe i ftoi ata për një bashkëpunim të frytshëm në projektet e ndryshme të cilat do të jenë prioritete të këtij Instituti në vitet e ardhshme.
    Anëtarët e këshillit drejtues janë: Sabri Bajgora, Ramadan Shkodra, Vedat Sahiti, Sadik Mehmeti, Valon Myrta, Besir Neziri dhe Abdulkadër Arnauti.
    Veprimtaria e Institutit do të zhvillohet nëpërmes punës kërkimore-shkencore të bashkëpunëtorëve të jashtëm, përmes projekteve të propozuara dhe të miratuara nga Instituti.
    Veprimtarie e Institutit është e përqendruar në punën kërkimore-shkencore nga fusha e shkencave islame dhe të kulturës shqiptare e më gjerë.
    Instituti organizon punën kërkimore-shkencore e profesionale dhe studimin e thesarit kulturor, material e shpirtëror islam në vend. Po ashtu, Instituti organizon dhe kryen edhe detyra të tjera kërkimore shkencore nga fusha e islamologjisë dhe e kulturës shqiptare dhe e kulturës së popujve të tjerë mysliman në vend.

  • Shtrihet në spital Hoxhë Dr.Zekerija Bajramit

    Shtrihet në spital Hoxhë Dr.Zekerija Bajramit

     

    Të nderuar ndjekës të platformës RTV Pendimi, ju njoftojmë që hoxhë dr.Zekerija Bajrami është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe momentalisht është i shtrirë në spital ku dhe është duke marrë tretmanet e nevojshme.
    Familjarët e Hoxhës kanë apeluar tek masa e gjerë që të mos e shqetësojnë atë me telefonata ngase çdo shqetësim është në dëm të hoxhës dhe se atë mund ta ndihmojnë me lutje/dua.
    Stafi i Rtv Pendimi uron që sa më parë t’i përmirësohet gjendja dhe të kthehet siç ka qenë. Allahu e forcoftë dhe ia lehtësoftë!

  • Presidenti i Ugandës ndalon Facebook-un, e akuzon se ishte “arrogant”

    Presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni, ndaloi platformën sociale Facebook dhe platformat e tjera të mediave sociale përderisa vendi po përgatitet të mbajë zgjedhjet presidenciale këtë javë, transmeton Anadolu Agency (AA).

    Duke iu adresuar kombit në Kampala, Museveni akuzoi Facebook-un se është “arrogant”.

    Disa ditë më parë, Facebook mbylli llogaritë e dy mbështetësve të presidentit Museveni, të njohur lokalisht si Bajjo dhe Full Figure, për atë që platforma sociale e quajti keqpërdorime të llogarive të tyre.

    Për shkak të mbylljeve, tha Museveni, qeveria po ndëshkon Facebook-un duke e mbyllur atë më herët.

    Mbyllja e llogarive të mbështetësve të tij nuk u prit mirë nga presidenti i Ugandës, veçanërisht pasi vendi dështoi në përpjekjet e saj disa javë më parë që Facebook të mbyll disa llogari që shteti i konsideronte të rrezikshme për sigurinë.

    Ai kritikoi Facebook-un se është kundër qeverisë në masën e mbylljes së disa prej llogarive mbështetëse të saj dhe tha se platforma sociale nuk ka të drejtë të thotë kush është i mirë dhe kush është i keq në Uganda.

    “Facebook vendosi të bllokojë qendrat e mesazheve NRM”, tha Museveni në fjalën e tij, duke iu referuar Lëvizjes së Rezistencës Kombëtare.

    Ai tha se mbyllja e Facebook-ut dhe platformave të tjera të mediave sociale është për të ardhur keq, por është e pashmangshme. Megjithatë, ai i kërkoi falje njerëzve në Ugandë që preken nga mbylljet.

    Uganda është planifikuar të mbajë zgjedhje nesër. Mediat sociale po ashtu u mbyllën kur vendi shkoi në qendrat e votimit në vitin 2016.

  • Me rastin e kryerjes së HATMES së Kur’anit, nga vijueset e rregullt të Mektebit të xhamisë në Libizhdë

    Me rastin e kryerjes së HATMES së Kur’anit, nga vijueset e rregullt të Mektebit të xhamisë në Libizhdë

    Me prezencë të shumë xhematlinjve, ditën e dielë, me datë 10.01.2021, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit – xhamia e fshatit Libizhdë, KK Prizren, organizoi ceremoninë solemne me rastin e kryerjes së HATMES së Kur’anit, nga vijueset e rregullt të Mektebit të xhamisë.
    Imamët e fshatit, Faruk ef. Idrizi dhe Amir ef. Ademi, me shumë sukses, kanë arritur që t’ua mësojë mësimin e leximit të Kur’anit 8 nxënëseve. Imami Faruk ef. Idrizi, në fjalën e tij, tregoi rreth ecurisë së mësimit në Mekteb, si dhe falënderoi edhe prindërit për interesimin dhe bashkëpunimin e tyre.
    Në fjalën e tij, kryetari i KBI-Prizren, Mr. Besim ef. Berisha, vlerësoi lartë angazhimin e hoxhallarëve të fshatit. Po ashtu, e vlerësoi lartë dhe vetëdijën e prindërve, të cilët i kanë motivuar fëmijtë e tyre, për të ndjekur mësimet në mektebin e xhamisë. Tubimin e përshëndetën edhe kryetari i fshatit, Nehat Vehapi dhe drejtori i shkollës fillore Ekrem Rexha “Drini”, Dr. Senad Neziri.
    Në fytyrën e të pranishmëve, shihej gëzimi dhe hareja, e sidomos te prindërit e fëmijëve që kanë bërë hatme Kur’anin.
    Ceremonia u mbajt në xhaminë e fshatit, filloi me tekbire ndërsa mbaroi me duanë e Hatmes.
    Sipas traditës, duaja e Hatmes, në këtë fshat është një moment feste. Pas ceremonisë, familjet e nxënësve, i marrin mysafirët e ftuar për të drekuar në shtëpi, familjarisht.
    Suksese, fëmijëve, familjeve dhe imamëve Faruk ef. Idrizi dhe Amir ef. Ademi…!
  • Turqia vazhdon përgatitjet për ndërtimin e spitalit në Fier

    Autoritetet e Turqisë dhe Shqipërisë kanë nisur përgatitjet për të realizuar projektin e spitalit që do të ndërtohet nga shteti turk në Fier, transmeton Anadolu Agency(AA).

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, kryetari i delegacionit të Ministrisë turke të Shëndetësisë, Arif Çetin, përfaqësuesi i kompanisë YDA Group që do të realizojë punimet, Hüseyin Arslan dhe zyrtarë të tjerë, kanë vizituar vendin ku është planifikuar të ndërtohet spitali rajonal i Fierit.

    Duke publikuar videon nga vizita në rrjetet sociale, kryeministra Rama tha se “sfida është shumë e madhe”.

    “Me kompaninë turke që do të ndërtojë spitalin e ri rajonal brenda 3 muajsh, e cila do të angazhojë 1.200 punëtorë me 3 turne në 7 ditë të javës”, shkroi Rama.

    Duke iu drejtuar përfaqësuesve të kompanisë, Rama tha se, “Ju jeni ndër ata që ka reputacionin e madh për zhvillimin e projekteve shumë sfiduese. Tani ne jemi këtu në dispozicionin tuaj, çdo gjë do të jetë si e kërkoni ju. Me mbështetje të plotë. Plani që keni ju parashikon që shumë njerëz të punojnë këtu, prandaj mirësevini dhe ambasadori nga ana juaj dhe ne nga ana jonë do të japim mbështetje të plotë.”

    Ndërsa përfaqësuesi i YDA Group, Hüseyin Arslan, në lidhje me projektin tha se do të bëjnë më të mirën.

    “Ne si grup, morëm urdhër nga Presidenti ynë, Recep Tayyip Erdoğan, javën e kaluar gjatë vizitës së Kryeministrit të nderuar në Turqi, na instruktuan të finalizojmë. Duhet të dorëzojmë spitalin pas 3 muajsh, ka një bast të madh mbi këtë gjë, e dimë që është një sfidë e madhe, dhe faleminderit për mbështetjen që na dhanë që nga dita e parë”, theksoi Arslan.

    Ai u shpreh se shpresojnë që të jetë një investim shumë i mirë për infrastrukturën e shëndetësisë shqiptare.

    “E dimë rëndësinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë. Jemi vëllezër dhe jemi shumë të nderuar për ndërmarrjen e një projekti të tillë kaq sfidues”, tha Arslan.

    Kujtojmë se ndërtimin e një spitali në Shqipëri e premtoi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Turqi.

  • Aplikacioni i Rtv Pendimit së shpejti me një dizajn të ri

    Aplikacioni i Rtv Pendimit së shpejti me një dizajn të ri

    Aplikacioni i Rtv Pendimit, shërbimi përmes të cilit vizitorët kanë mundësi të dëgjojnë radio të shikojnë tv dhe të informohen për emisionet dhe shumë çka tjetër është pranë një ridizajnimi masiv.

    Disa imazhe tregojnë një ndërfaqe terësisht të re e cila ofron navigim më të lehtë dhe animacione të reja.

    Na ndajnë vetëm disa ditë nga ky përditësim madhor. Nga pamjet e paraqitura nga dizajnerat e aplikacionit shohim se do të këtë ndryshime dhe disa funksione te reja. Do të mërrni njofime të një pas njëshme, për informacionet e reja që do të vinë gjatë ditës.

    Do të informohuni për emisione dhe do të keni mundësi të reklamoni.

    Mos harroni të përditsoni aplikacionin me vërsionin e fundit.

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline