Category: Lajme

  • Kosovë, përkujtohet rreshteri Afrim Bunjaku në përvjetorin e rënies

    Kosovë, përkujtohet rreshteri Afrim Bunjaku në përvjetorin e rënies

    Nën patronazhin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, në Prishtinë është mbajtur akademi përkujtimore në nder të veprës së “Heroit të Kosovës”, rreshterit policor Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën më 24 shtator 2023 në një sulm në Banjska të Zveçanit, raporton Anadolu.

    Në këtë akademi përkujtimore mori pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministra të kabinetit qeveritar, pjesëtarë të familjes Bunjaku, udhëheqës dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ambasadorë të vendeve të huaja, deputetë dhe qytetarë.

    Kryeministri Kurti tha se heroi Afrim Bunjaku ra si dëshmor i ruajtjes së lirisë dhe mbrojtjes së sovranitetit me ligj. Ai theksoi se Serbia me “sulmin terrorist të organizuar në veri kishte synim aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës”.

    “Serbia duhet të përgjigjet sepse është përgjegjëse për sulmin në Banjska, andaj ajo duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe të bashkëpunojë me Kosovën dhe Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për nxjerrjen para drejtësisë të kryerësve të këtij akti agresioni, në një proces të drejtë gjyqësor në vendin tonë”, tha Kurti.

    Sipas Kurtit, Serbia si shtet autokratik dhe hegjemonist, synon territore me një “taktikë hibride dhe me ndërgjegje morbide”.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhela Sveçla, nga ana e tij, tha se 24 shtatori është një datë e re që i është shtuar kalendarit të historisë së Kosovës. Ai tha se “sulmi terrorist” i 24 shtatorit dhe rënia e Bunjakut ishin kthesë që ndryshuan rrethanat në Kosovë dhe më gjerë.

    “Puna e Afrimit dhe secilit pjesëtarë policor në veriun e vendit tonë ka bërë të mundur asgjësimin e grupeve kriminale e terroriste, kthimin e normalitetit në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët tanë”, theksoi Sveçla.

    Arbenita Bunjaku, e bija e heroit Afrim Bunjaku, në një fjalim para të pranishmëve tha se është e vështirë të vazhdohet jeta pa babanë. Ajo tha se krenaria e madhe për babanë bënë që të vazhdohet përpara.

    “Një vit pa ty babi, hero i Kosovës, një vit me plotë sfida, një mungesë që shkon e rritet ku asgjë nuk e përmbushë boshllëkun që ke lënë brenda nesh”, theksoi ajo.

    Rreshteri Afrim Bunjaku ra heroikisht si pasojë e shpërthimit të një mine të aktivizuar nga distanca nga pjesëtarë të grupit që sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023 në Banjska të Komunës së Zveçanit.

    Për sulmin ndaj Policisë së Kosovës e ka marrë përgjegjësinë ish-politikani serb në Kosovë, Milan Radoiçiq. Autoritetet në Serbi refuzojnë ta ekstradojnë Radoiçiqin në Kosovë, pavarësisht se Kosova po e kërkon një gjë të tillë dhe ka ofruar mbrojtje për të.

    Në Kosovë organet e drejtësisë më 11 shtator ngritën aktakuzë kundër 45 personave lidhur me sulmin në Banjska, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin. Seanca e parë dëgjimore me disa prej pjesëmarrësve të sulmit terrosit në Banjska, pritet të fillojë ditën e nesërme, më 25 shtator.

  • Kosovë, shtyhet seanca fillestare për rastin e sulmit në Banjskë

    Kosovë, shtyhet seanca fillestare për rastin e sulmit në Banjskë

    Me vendim të gjykatësit në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shtyrë seanca fillestare për rastin e sulmit në Banjskë të Komunës së Zveçanit e cila ndodhi më 24 shtator 2023, raporton Anadolu.

    Tre nga gjithsej 45 të akuzuarit për rastin Banjska u sollën në seancën fillestare, ku të pranishëm ishin edhe pala mbrojtëse e tyre si dhe pala mbrojtëse e ish-rreshterit policor që humbi jetën në Banjskë, Afrim Bunjaku, si dhe të dëmtuar tjerë në këtë rast.

    Shtyrja e seancës për 9 tetor u vendos pasi avokatët e të akuzuarve Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq kërkuan më shumë kohë për të lexuar shkresën e lëndës dhe provat e Prokurorisë, pasi sipas tyre, ata kanë marrë aktakuzat ditën e hënë, më 23 shtator 2024.

    Gjyqtari Arben Hoti tha se për 42 të akuzuarit tjerë, për procedurë të gjykimit në mungesë, do të kërkohet opinion nga Gjykata Supreme e Kosovës.

    Paraprakisht, prokurori special i këtij rasti, Naim Abazi ka thënë se pjesa tjetër e grupit terrorist të Banjskës nuk ka mundur të kapet për t’u sjellë në gjykatë, por ai tha se pavarësisht kësaj, mund të bëhet gjykimi në mungesë. Ky propozim u kundërshtua nga avokatët e tre të akuzuarve të pranishëm.

    Arianit Koci, avokati i policit të ndjerë që humbi jetën në detyrë, Afrim Bunjakut, tha se nuk ka faktorë që gjykata të vendosë të mos mbahet gjykimi në mungesë. Ai në një prononcim pas shtyrjes së seancës, konsideroi se lajm i mirë në këtë rast është që të gjithë të akuzuarit janë në listë të kërkimit nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale – INTERPOL.

    “I kemi 42 persona të cilët nuk janë nën drejtësinë e Kosovës, pra, janë në arrati. Lajmi i mirë është që të gjithë këta, pra 42 personat janë në kërkesën e kuqe apo ‘red notice’ të Interpolit dhe asnjëri prej tyre nuk mund ta lëshojë më Serbinë, përndryshe do të arrestohen menjëherë”, theksoi Koci.

    Tre të akuzuarit që po mbahen në paraburgim që nga arrestimi më 24 shtator 2023, janë pjesë e grupit prej 45 personash që ishin identifikuar nga Prokuroria e Kosovës si përgjegjës të tentativës për ta aneksuar veriun e Kosovës në shtator të vitit të kaluar.

    Më 11 shtator, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe 44 personave të tjerë. Ata akuzohen se me dhunë e me armatim të rëndë tentuan ta shkëpusnin pjesën veriore dhe t’ia bashkonin Serbisë.

    Ndaj tyre rëndojnë veprat penale si “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.

    Sipas aktakuzës, shteti i Serbisë ia vuri në dispozicion grupit të Radoiçiqit infrastrukturën ushtarake dhe i ofroi armë.

    Rreshteri i Kosovës, Afrim Bunjaku, ishte vrarë nga ky grup terrorist më 24 shtator 2023 në një pritë në Banjskë. Ndërsa në aksionin pasues, nga përballja e Policisë me grupin, u vranë tre sulmues derisa pjesa dërrmuese e tyre u arratisën.

  • KFOR-i dhe Policia e Kosovës i shtojnë patrullimet në veri

    KFOR-i dhe Policia e Kosovës i shtojnë patrullimet në veri

    Ushtarët e KFOR-it në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë shtuar patrullimet e tyre në veri të Kosovës.

    Kjo gjë është bërë e ditur në një njoftim zyrat të misionit të NATO-s në Kosovë.

    “Komanda Rajonale në Lindje e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO ka shtuar patrullimet e tyre, së bashku me Policinë e Kosovës në veri të Kosovës. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftim.

    KFOR-i ka ritheksuar se është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët thotë se punon në koordinim të ngushtë.

  • Shqiptarët në Luginën e Preshevës protestojnë për të drejtat e tyre

    Shqiptarët në Luginën e Preshevës protestojnë për të drejtat e tyre

    Shqiptarët nga Lugina e Preshevës kanë mbajtur një protestë me moton “Për identitet dhe dinjitet”, transmeton Anadolu.

    Protesta që u nis kundër shkeljeve të të drejtave të këtij komuniteti në Serbi, mblodhi qytetarët shqiptarë në Komunën e Preshevës.

    Në protestë mori pjesë edhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, si dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, si dhe qindra qytetarë.

    Sinani në fjalën e saj para të pranishmëve tha se me anë të kësaj proteste do të kërkohet ndërprerja e pasivitetit të adresave të shqiptarëve nga Serbia, njohja e diplomave, vende të punës dhe institucione të hapura për të gjithë.

    “Problemet tona nuk mund të shtyhen më. Aspak më pak se sa na takon, asnjëherë më shumë, por gjithmonë atë që meritojmë! Për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe për përmbushjen e detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Për Preshevën me Gjykatë, për institucione ku shqiptarët janë të përfaqësuar! Kjo është për të gjithë ne, për dinjitetin dhe identitetin tonë”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

    Kjo është protesta e dytë pas asaj me kërkesa të njëjta që u mbajt më 12 gusht.

    Javë më parë, Komisioni Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë shprehën shqetësimin për pasivitetin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë, duke theksuar se kjo tendencë e Serbisë bie ndesh me obligimet që ka ky vend për respektimin e të drejtave të pakicave.

    Sipas autoriteteve shqiptare në Luginë të Preshevës, deri më tani janë pasivizuar rreth 6 mijë adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

    Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi, shqiptarët janë minoriteti i katërt më i madhi në numër, me rreth 61 mijë shqiptarë të regjistruar.

  • Mbi 15 mijë aksidente për 8 muaj

    Mbi 15 mijë aksidente për 8 muaj

    Vetëm gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, në total janë regjistruar mbi 15 mijë e 400 aksidente në komunikacion. Prej tyre 63 ishin me fatalitet, ku humbën jetën 68 persona. Gjithashtu, kanë ndodhur edhe 5 mijë e 500 aksidente me lëndime me 10 mijë e 500 persona të lënduar, si dhe 9 mijë e 800 aksidente me dëme materiale.

    Edhe pse Policia e Kosovës nuk ka dërguar statistika për vet-aksidentet, nga ekspertët e komunikacionit ato po vlerësohen shqetësuese. Ata madje kërkojnë të hetohet arsyeja e këtyre aksidenteve.

    Eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi ka thënë për KosovaPress, se shqetësuese janë vet-aksidentet për të cilat thekson se duhet të hulumtohet lokacioni ku ndodhin për të disten herë vet-aksidentet, gjendja e ngasësit por edhe gjendja teknike e automjetit.

    “Secili aksident pa marrë parasysh se çfarë kategorie të aksidentit kemi, është shqetësues, mirëpo veçmas kohëve të fundit janë shqetësuese aksidentet e tipit të vet-aksidente… Mendoj që duhet të bëhet hetim i thellë për shkaktarët e kontribuuesit të këtyre aksidenteve nëse është problemi te lokacioni dhe përsëriten, duhet të shikohet se si të evitohet dhe përmirësohet me kuptimin teknik ai lokacion, pastaj duhet të hetohet gjendja e vet ngasësit të automjeteve, i cili ka pësuar në këto vet aksidente për të parë se çka ka ndikuar tek ai i cili ka shkaktuar këtë aksident dhe në anën tjetër edhe gjendja teknike e mjetit në të cilin është shkaktuar ky aksident,” ka thënë Krasniqi.

    Krasniqi ka shtuar se pa marrë parasysh se me çfarë mjeti jeni, të gjithë duhet të respektojnë kodin rrugor të sjelljes, në këtë mënyrë të sigurohen edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

    “Disiplina, respektimi i shenjave, rregullave të trafikut, përgjegjësia, në momentin që je në rrugë, çoftë si ngasës, si këmbësorë apo thjesht udhëtar apo ngasës i biçikletës, trotinetit, e tjera, të gjithë duhet të marrin pjesë edhe të respektojnë kodin rrugorë të sjelljes dhe janë edhe ata të sigurt por edhe i sigurojnë pjesëmarrësit tjerë në trafik,” ka shtuar ai.

    Ndërsa, Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim ka theksuar se kanë shtuar prezencën e zyrtarëve policorë në akse të ndryshme rrugore me njësinë e motoçiklistëve, njësinë mobile me pajisje inteligjente “Smart Patrol”, veturat civile të pajisura me radarë mobil, përdorimin e dronëve në identifikimin e kundërvajtjeve të ndryshme, si dhe ndërmarrjen e masave sensibilizuese dhe atyre ndëshkuese.

    “Angazhimet policore, përveç tjerash, kanë përfshirë shtimin e prezencës së zyrtarëve policorë në akse të ndryshme rrugore me njësinë e motoçiklistëve, njësinë mobile me pajisje inteligjente “SMART PATROL”, veturat civile të pajisura me radarë mobilë, përdorimin e dronëve në identifikimin e kundërvajtjeve të ndryshme e njësi tjera policore, si dhe ndërmarrjen e masave sensibilizuese dhe atyre ndëshkuese,” ka thënë PK në një përgjigje me shkrim.

    Nëse krahasojmë periudhën janar-gusht të këtij viti dhe të vitit të kaluar, në statistikat që ka dërguar PK-ja, këtë vit, për këtë periudhë ka më pa aksidente, megjithatë diferenca është shumë e vogël.

  • Tërmet me magnitudë 4,5 ballë godet Bosnjë dhe Hercegovinën

    Tërmet me magnitudë 4,5 ballë godet Bosnjë dhe Hercegovinën

    Një tërmet me magnitudë 4,5 sipas shkallës Rihter është regjistruar sot në Bosnjë dhe Hercegovinë, në një distancë prej 20 kilometrash nga Tesliqi dhe 40 kilometra nga Zenica, transmeton Anadolu.

    Siç thuhet në faqen e internetit të Qendrës Sizmologjike Mesdhetare Evropiane (EMSC), tërmeti ka ndodhur në orën 14:23.

    Tërmeti është nider nga qytetarët në Banja Luka dhe sipas dëshmive për shërbimin e EMSC-së, qytetarët kanë raportuar se një lëkundje e lehtë e tokës është ndier edhe në Sarajevë.

    Aktualisht nuk ka raportime për dëme materiale.

  • FSK-ja stërvitet me ushtrinë shqiptare për garën më të madhe të ushtrive të botës që do të mbahet në Britani

    FSK-ja stërvitet me ushtrinë shqiptare për garën më të madhe të ushtrive të botës që do të mbahet në Britani

    Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkë me një skuadër nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë e në koordinim me ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar kanë realizuar ushtrimin fushor “Camprep24”.

    Sipas FSK-së, ky ushtrim është në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjes në garën “Cambrian Patrol 2024”, ku skuadrat, siç thuhet, u testuan dhe kaluan sfidat e ngjashme që do të jenë gjatë realizimit të kësaj gare.

    “Skuadrat treguan disiplinë, motiv e përkushtim të lartë, duke bërë më të mirën për të përfaqësuar vendet tona në garën më të madhe të ushtrive të botës siç është gara ‘Cambrian Patrol’”, thuhet në njoftim.

    Gara “Cambrian Patrol” realizohet çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar, me pjesëmarrjen e një numri të madh të ushtrive nga të gjitha vendet e botës.

  • Manastiri i Banjskës do të jetë i mbyllur nga 23-26 shtator “për arsye të sigurisë”

    Manastiri i Banjskës do të jetë i mbyllur nga 23-26 shtator “për arsye të sigurisë”

    Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar se Manastiri në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorë nga 23 deri më 26 shtator.

    Në njoftim thuhet se kjo do të bëhet “për arsye të sigurisë dhe që të ruhet paqja, e cila aktualisht është e një rëndësie të madhe për manastirin”.

    Ndonëse nuk është përmendur në njoftim, më 24 shtator bëhen 1 vit nga sulmi i armatosur i terroristëve serbë në Banjskë të Zveçanit.

    Pasi e vranë rreshterin Afrim Bunjaku, terroristët serbë u patën strehuar brenda Manastirit.

    Së fundmi, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave lidhur me sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023, në mesin e tyre edhe Milan Radojçiq.

  • Kosovë, promovohet Klinika për Ndihmë Juridike Falas për të mbijetuarat e dhunës gjatë luftës

    Kosovë, promovohet Klinika për Ndihmë Juridike Falas për të mbijetuarat e dhunës gjatë luftës

    Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) nëpërmjet një tubimi ka promovuar Klinikën për Ndihmë Juridike Falas, e cila ka për qëllim ofrimin e ndihmës për kategoritë e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton Anadolu.

    Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se Klinika për Ndihmë Juridike Falas do të jetë në ndihmë të të gjithë përfituesve që i qasen kësaj qendre, me idenë për t’u futur në listën e përfituesve nga shteti, qoftë për statusin si e mbijetuar e dhunës seksuale, qoftë për qasje në drejtësi, qoftë për çështje administrative.

    Ajo tha se një rast i kësaj kategorie nuk mund të ballafaqohet me proceset gjyqësore apo me çështje të tjera sa i përket realizimit të drejtësisë, nëse nuk është mentalisht dhe fizikisht në rregull të dëshmojë në këto procese.

    “Shërimi dhe drejtësia nuk mund të shihen si procese të ndara. Ato duhet të shkojnë tandem me njëra tjetrën dhe duhet të kemi formë të integruar për të pasur rezultat pastaj qoftë për të mbijetuarat e dhunës seksuale apo përfituesit tjerë, të arrijnë të dëshmojnë sukses”, theksoi Rushiti.

    Fisnik Mehmeti, i cili prezantoi funksionin e kësaj klinike para të pranishmëve, tha se vizioni i kësaj klinike është ofrimi i ndihmës juridike falas, duke kontribuar në qëndrueshmërinë dhe fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale.

    “Ndërsa, misioni i Klinikës për Ndihmë Juridike Falas është që të ofrojë shërbime juridike profesionale dhe empatike për të mbijetuarit e dhunës seksuale specifikisht, mirëpo duke përfshirë edhe grupe tjera të ndjeshme që janë pjesë e listës së përfituesve në mënyrë që të sigurojmë të drejtat e tyre për qasje në drejtësi dhe duke mbështetur udhëtimin e tyre drejt shërimit dhe integrimit shoqëror”, theksoi Mehmeti.

    Gjatë luftës së fundit në Kosovë konsiderohet se rreth 20 mijë persona kanë qenë viktima të dhunës seksuale. Më 14 prill në Kosovë shënohet Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, e cila përkon me ditën kur Vasfije Krasniqi-Goodman, në atë kohë 16-vjeçe, u rrëmbye nga një polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost, ku u dhunua seksualisht.

    Qeveria e Kosovës në muajin shkurt të vitit 2018 ka filluar procesin e regjistrimit të statusit të individëve të dhunuar gjatë luftës dhe verifikimin e tyre. Deri më tani janë aprovuar rreth 1.500 raste prej të cilave rreth 70 raste të dhunës seksuale i përkasin gjinisë mashkullore.

    Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), është themeluar më 1999 si rezultat dhe reagim ndaj torturave, traumave të shumta që popullata kosovare ka pësuar gjatë luftës së vitit 1999. Target Grupi i kësaj qendre janë personat e traumatizuar gjatë luftës në Kosovë dhe personat e privuar nga liria.

  • Një kontingjent britanik prej 300 trupash zbarkon në Kosovë për stërvitje të përbashkët me KFOR-in

    Një kontingjent britanik prej 300 trupash zbarkon në Kosovë për stërvitje të përbashkët me KFOR-in

    Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka bërë të ditur se do të kryejë stërvitje të përbashkëta me njësitin rezervë prej 300 trupave nga Regjimenti Mbretëror ‘Yorkshire’ i Britanisë së Madhe, transmeton Anadolu.

    Sipas KFOR-it, stërvitjet e përbashkëta me kontingjentin britanik, i cili do të qëndrojë përkohësisht në Kosovë, do të fillojnë nga sot dhe do të zgjasin deri në fund të muajit tetor.

    Synimi i stërvitjeve, sipas njoftimit, është testimi i procedurave ekzistuese për zbarkimin e trupave shtesë dhe integrimin e tyre brenda misionit të KFOR-it.

    “Stërvitja përkrah gatishmërinë e KFOR-it për të reaguar ndaj zhvillimeve relevante të sigurisë, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i vazhdueshëm i mandatit tonë të OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuuar në një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në të gjithë kohën dhe në mënyrë të paanshme”, njofton KFOR-i.

    Në njoftim po ashtu theksohet se pas përfundimit të stërvitjeve kontingjenti do të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar.

    Sa i përket masave për të zbutur efektet në trafikun rrugor, të cilat mund të priten si rezultat i lëvizjeve të personelit ushtarak dhe automjeteve para dhe gjatë stërvitjeve, KFOR-i shton se do të marrë të gjitha masat e nevojshme.

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline