Category: Mirësjellja – Edukata fetare

  • BESIMI NË MELEKËT E ALLAHUT

    BESIMI NË MELEKËT E ALLAHUT

    Allahun e falënderoj prej Tij falje dhe ndihmë kërkoj. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç se Allahut dhe se Muhamedi, biri i Abdullahut dhe rob i Allahut, është rob dhe i Dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që i përcjellin me të mira deri Ditën e Kiametit.

    O muslimanë, së pari e këshilloj veten dhe juve që t’i frikohemi Allahut me frikërespekt të vërtetë: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë”. (Ali Imran: 102) 

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Lavdërimi qoftë për Allahun, krijuesin e qiejve dhe Tokës, i Cili i ka bërë engjëjt të dërguar me nga dy, tre dhe katër krahë. Ai shton në krijim çfarë të dojë. Allahu, me të vërtetë, është i pushtetshëm për çdo gjë”. (Fatir: 1)

    Ky ajet na paraqet pamje nga fuqia e Allahut dhe nga gjurmët e fuqisë së Tij të dëshmuara në krijimin e tokës dhe qiejve dhe në krijimin e melekëve të madhërishëm të cilët i krijoi nga drita dhe i bëri të dërguar në zbatimin e urdhrave dhe në informimin e shpalljes dhe dispozitave të Allahut: “Allahu zgjedh të dërguar nga engjëjt dhe njerëzit”. (El-Haxh: 75) Po ashtu shtoi nga bukuria dhe fuqia në krijimin e tyre duke i bërë me nga dy, tre dhe katër krahë. Allahu shton në krijim çfarë të donë dhe përkryerja në krijim aludon në madhështinë e Krijuesit.

    Melekët janë argument nga argumentet e Allahut. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Më është lejuar mua të flas për një nga melekët e Allahut bartës të Arshit, ai është aq i madh sa që largësia mes veshit dhe supeve të tij është sa udhëtimi 700 vjet”.

    Çdo lëvizje në qiej dhe tokë, duke filluar nga lëvizjet e yjeve, diellit, hënës, reve, të mbjellave, etj., rrjedh nga melekët që janë të ngarkuara nga ana e Allahut për tokën dhe qiejt ku edhe Allahu i Madhëruar thotë. “Dhe për ata që i rregullojnë punët”. (En-Naziat: 5) Dhe çdonjëri nga ato e kanë vendin e caktuar: “Çdonjëri prej nesh e ka vendin e caktuar (në qiell, ku adhuron Allahun)”. (Es-Safat: 164)

    Besimit në melekët e Allahut lë gjurmë në ideologji dhe sjellje ku nëpërmjet tyre robi i afrohet Allahut dhe ia mundëson ta shijojë ëmbëlsinë e imanit dhe për këtë arsye besimi në melekët e Allahut u bë argument i devotshmërisë dhe shenjë e mirësisë: “Por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, melekët, Librin dhe profetët”. (El-Bekare: 177)

    Në një hadith fisnik i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, flet rreth adhurimeve të tyre, veprave madhështore të tyre dhe rreth nënshtrimeve të tyre: “Unë e shoh atë që ju nuk e shihni dhe e dëgjoj atë që ju nuk e dëgjoni. Është rënduar qielli dhe ka të drejtë të rëndohet. Në çdo pëllëmbë vend, gjendet një melek i cili adhuron Zotin”.

    Edhe pse jeta e melekëve e tëra është adhurim dhe lartësim të Allahut, falënderim dhe mirënjohje ndaj Tij, Ditën e Kiametit do të thonë. “I Lartësuar je ti o Zot. Nuk të kemi adhuruar ashtu siç e meriton, po asnjëherë nuk të kemi përshkruar shok dhe partner”.

    Muslimani sado që arrin nga adhurimet dhe i përkushtohet thirrjes në Fe dhe shpenzon nga pasuria nuk ka mundësi ta arrin sasinë e adhurimeve të melekëve. Prandaj ai është më meritor që ta braktis mendjemadhësinë në adhurime dhe vetëpëlqimin shkatërrues dhe të vepron sa më tepër.

    Allahu në Kur’an u betua në disa grupe prej tyre: “Betohem në ata (engjëj) që janë të radhitur”. (Es-Safat: 1) I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, për ta tha: “A nuk rreshtoheni sikurse rreshtohen melekët te Zoti i tyre”. E kur ai u pyet se si rreshtohen ata? I thanë: Po si rreshtohen, o i Dërguar i Allahut? U përgjigj: “I plotësojnë safat dhe ngushtohen”.

    Numri i tyre nuk dihet dhe nuk mundet të përkufizohet. Xhibrili, alejhi selam, iu përgjigj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, kur e pyeti për Bejtul Mamurin (emri i Qabes në qiellin e shtatë) i cili është në qiellin e shtatë dhe tha: “Kjo është Bejtul Mamur në të çdo ditë hynë 70.000 melekë dhe nuk kthehen për herë të dytë për shkak numrit të madh të tyre”.

    Melekët bëjnë dua për atë që shkon në xhami dhe e pret namazin me xhemat dhe thonë: “Melekët luten për çdo njeri nga ju përderisa ju jeni ne vendin tuaj (duke e pritur namazin), dhe thonë : “O Zot, fale atë, o Zot mëshiroje atë. Luten për te përderisa nuk dëmton dikë apo flet”. Po ashtu luten për ata që janë në safin e parë: “Vërtet Allahu dhe melekët luten për safat e parë”. Dhe luten për dijetarët që ua mësojnë njerëzve fenë: “Vërtet Allahu, melekët, banorët e qiellit dhe të tokës madje edhe milingona (thnegla) në vrimën e saj e edhe peshqit luten (kërkojnë mëshirë) për atë njeri i cili ua mëson njerëzve të mirën (i udhëzon ata në rrugë të drejtë)”. Kush i çon salavate të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, melekët luten për ta: “Nuk ka njeri që më dërgon salavate mua përveç se melekët do te luten për të përderisa ai është duke u lutur për mua, atëherë le të pakësoje njeriu atë (lutjen mbi mua) apo le ta shtojë”.

    Lutjet e melekëve për ne janë të rëndësishme e sidomos në udhëzimin tonë dhe largimin nga errësira e mëkateve dhe gjynaheve në dritë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Është Ai që ju bekon, ndërkohë që engjëjt e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë”. (El-Ahzab: 43)

    Melekët zbresin me qetësi dhe rehati në atë vend ku lexohet Kur’ani. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i tha Usejd ibën Hudejr, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Ata kanë qenë melekët të cilët të janë afruar për zërin tënd dhe, po të kishe vazhduar të këndojë deri në agim, ajo re do të kishte mbetur atje ta shikonin njerëzit pasi nuk do të ikte prej tyre”.

    Prej veprave të tyre është edhe shënimi i veprave të njerëzve dhe ruajtja e tyre: “Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta, dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)”. (Kaf: 17-18) Kjo është shkak që nga muslimani të burojnë vetëm se cilësitë e mira dhe virtytet e larta dhe të ruhet në thëniet dhe veprat e tij, në vetmi apo në publik, dhe t’ia shtojë vetëdijen e mbikëqyrjes hyjnore dhe se çdo hap është i përcjellë nga melekët e ndershëm. Allahu, azze ue xhel, thotë. “Vallë, a mos kujtojnë ata se Ne nuk i dëgjojmë fjalët e tyre tinëzare dhe bisedat e tyre të fshehta? Pa dyshim, Ne dëgjojmë, ndërsa të dërguarit Tanë (engjëj) që janë pranë tyre, shënojnë”. (Ez-Zuhruf: 80)

    Allahu njeriut i ka ngarkuar melekë që e ruajnë ditën dhe natën, e mbrojnë nga çdo e keqe dhe shkatërruese, nuk ndahen nga ai madje e mbikëqyrin nga para dhe nga mbrapa. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë. “Melekët vijnë (tek ju) paprerë, ditën dhe natën”.

    Një njeri i tha Ali ibën Ebu Talibit, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Disa persona nga fisi Murad dëshirojnë të vrasin”. Ai u përgjigj : “Çdo njeri ka dy melekë të cilët e ruajnë nga ajo që nuk i është përcaktuar, e kur të vjen ajo që i është përcaktuar, ata i lënë ata (përcaktimin dhe njeriun). S’ka dyshim se exheli është mburoje e fortifikuar”.

    O muslimanë, melekët nuk hynë në ato shtëpi ku ka fotografi, statuja dhe qen. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nuk hynë melekët në atë shtëpi ku ka fotografi dhe qen”.

    Prej madhështisë së krijimit të Allahut është që melekët të transformohen në pamje të ndryshme. Xhibrili, alejhi selam, Merjemes, alejha selam, iu paraqit në formën e një njeriu të plotë, njeri i hijshëm dhe pa asnjë të metë, dhe e përgëzoi me lindjen e Isait, alejhi selam. Ibrahimit, alejhi selam, i erdhën melekët si mysafir në formën e djelmoshave të bukur dhe e përgëzuan me lindjen e Is’hakut: “A e ke dëgjuar historinë e mysafirëve të nderuar të Ibrahimit? Ata hynë tek ai e i thanë: “Paqe!” – dhe ai u tha: “Paqe, o njerëz të panjohur!”. (Edh-Dharijat: 24-25)

    Të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, nganjëherë i vinte në formën e një endacaku, sikurse në ditën e Beni Kurejdhas, kur u kthye nga beteja ditën e luftës së Hendekut, ai i hoqi armët dhe u la. Pastaj i erdhi Xhibrili me kokën të mbushur me pluhur dhe i tha: “I ke hequr armët?! Për Allah! Unë akoma nuk i kam hequr armët e mia!” I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e pyeti: “Po ku (do të shkojmë tani)?”. Xhibrili i tha: “Ja, atje”,- duke i bërë me shenjë për te Beni Kurejdha. Kështu i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, u nis në drejtim të tyre”.

    Melekët i zbresin besimtarëve me përkrahje dhe ndihmë: (Kujto o Muhamed) kur Zoti yt i frymëzoi engjëjt: “Unë jam me ju, andaj forcojini ata që besojnë”. (El-Enfal: 12)

    Kur Allahu e do një rob, e thërret Xhibrilin dhe i thotë atij që edhe ai ta dojë, pastaj Xhibrili i thërret krijesat qiellore e u thotë : Vërtet Zoti e do filanin, ta doni edhe ju atë, pastaj shenjat e kësaj dashurie shfaqen ne dashurinë e njerëzve që kanë për të.

    Ky është fryti i nënshtrimeve dhe drita e adhurimeve. Kur dashuria jote mbërrin në qiell, ajo përhapet edhe në tokë dhe banorët e saj të duan, dhe kur si rezultat i mëkateve tua zemërimi arrin deri në qiell, ajo përhapet në tokë dhe banorët e saj të urrejnë.

    Ka prej melekëve të Allahut udhëtarë nëpër tokë, ia dërgojnë të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, selamet dhe salavatet. Nga melekët ka që janë të ngarkuar me fryrjen e shpirtrave në barqet e nënave dhe shënimin e veprave, furnizimit dhe exhelit. Israfili është ai që i fryn Surit me lejen e Allahut herën e parë dhe shkatërrohet çdo gjë në tokë dhe qiej përveç se atë që donë Allahu të mbetet, e pastaj i fryn për herë të dytë dhe ringjalljen krijesat pasi që kishin vdekur.

    Rojet e Xhehenemit janë melekë të fortë dhe të ashpër, nuk mund të luftohen e kundërshtohen dhe atë e ruajnë nëntëmbëdhjetë melekë në numër. Ibën Mesudi, Allahu e mëshiroftë, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Do të sillet Xhehenemi në Ditën e Kiametit duke u tërhequr zvarrë me 70,000 mijë kapistra, çdo kapistër tërhiqet nga 70,000 melekë”.

    Melekët ia nxjerrin shpirtin njeriut kur mbaron exheli i saj: “Thuaju: “Shpirtin do t’jua marrë engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj”. (Es-Sexhde: 11)

    Kjo është argument se kjo dynja është kalimtare dhe jo e përhershme dhe se të mjafton nga ajo kënaqësia në hallall dhe të mirë që ta fitosh në ahiret të përhershmen.

    Melekët u zbresin besimtarëve të përqendruar në fenë e Allahut në çastet e fundit të jetës me përgëzim: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar”. (Fusilet: 30)

    Në varr vijnë Nekiri dhe Munkeri, dy melekët të ngarkuar nga ana Allahut për pyetjen e të vdekurit në varr, dhe nuk shpëton nga ato pyetje vetëm se ai që ka qenë i kënaqur me Allahun sinqerisht dhe besimi i tij ka qenë i drejtë dhe i sinqertë. Melekët i mirëpresin në pozita të larta dhe në një atmosferë të këndshme ata të cilët e fituan kënaqësinë e Allahut: “Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit) (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!”. (Er-Ra’d: 23-24)

    Melekët prezantojnë në namazin e sabahut dhe të ikindisë. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Melekët vijnë (tek ju) paprerë, ditën dhe natën, dhe të gjithë mblidhen së bashku në kohën e faljes së agimit dhe të pasdites. Pastaj, ata që kanë ndenjur me ju gjithë natën, ngjiten tek Allahu i Cili i pyet ata edhe pse Ai e di përgjigjen që më parë, më mirë se ata): “Si i latë robët e Mi?” Ata përgjigjen: “ Ata i lamë duke u falur dhe kur shkuam, përsëri i gjetëm po duke u falur”.

    Kjo është meritë e madhe për ata që prezantojnë në namazet me xhemat e sidomos në namazet e sabahut dhe të ikindisë. Kurse ata të cilët nuk prezantojnë në namazin me xhemat u ik një meritë dhe mirësi shumë e madhe, e sidomos ata që nuk e falin namazin e ikindisë derisa të skuqet dielli (afër perëndimit), ku në këtë kohë është mes dy brirëve të shejtanit, dhe ata që nuk e falin sabahun vetëm se pasi që të lind dielli, çka do të thonë për ta melekët dhe çka do t’i përgjigjen Zotit të tyre: O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi”. (El-Infitar: 6-7)

    O ti njeri, po ç’të mashtroi ty që kundrejt Zotit tënd kur Ai ty të krijoi dhe përsosi me përsosmërinë më të madhe dhe në fund të drejtoi dhe të mëshiroi dhe të dalloi nga krijesat e tjera? Çka të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd i Cili të furnizoi me shumë begati që nuk munden të përkufizohen dhe numërohen? Çka do t’i thuash Atij kur Ditën e Kiametit do të dalësh para Tij dhe do të llogaritësh për ato të mira që i shfrytëzove në dynja? A nuk të vjen turp kur i sheh ditën e xhuma xhamitë të stërmbushura madje edhe rrugët zihen e bllokohen prej njerëzve kurse xhamitë ankohen ku janë ata në namazin e sabahut dhe të ikindisë në shtëpinë e Allahut? Këto pamje aludojnë në të qenurit rob i epsheve dhe në shkujdesje ndaj shtyllës më të rëndësishme të Islamit deri sa kjo pamje u bë traditë e përgjithshme.

    Shejh Dr. Abdulbarij Thubejti   

     Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • BUTËSIA, DURIMI DHE TRIMËRIA E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT (ALEJHI SALATU UE SELAM)

    BUTËSIA, DURIMI DHE TRIMËRIA E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT (ALEJHI SALATU UE SELAM)

    O muslimanë, dijeni se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte njeriu me cilësi më të larta, më i miri dhe më i dashuri në mesin e njerëzve dhe Allahu me dërgimin e tij e plotësoi begatinë mbi ne dhe tha: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët” . (Et-Teube: 128)

    Nga butësia dhe durimi i tij na mjafton të dimë nga ajo që ditën e Uhudit ia përgjakën faqen e tij të bekuar dhe ia thyen dhëmbët dhe shokëve të tij kur e panë në këtë gjendje u erdhi shumë keq deri sa i than: O i Dërguar i Allahut, lutju Allahut kundër tyre? Iu përgjigj: “Unë nuk jam dërguar si mallkues, por jam dërguar si mëshirë” . Dhe pastaj tha: “O Zot, udhëzoje popullin tim për arsye se ata nuk e di të vërtetën” .

    O robër të Allahut, shikoni këtë fjalë se çfarë mirësie ka përmbledhur në vetvete dhe shikoni gradat e mirësisë dhe moralit të lartë. Ata e lënduan dhe ai jo vetëm që nuk foli kundër tyre po ua fali dhe i mëshiroi dhe u lut për ta dhe pastaj e paraqiti shkakun e mëshirës dhe butësisë së tij me thënien e tij: “Populli im” , e pastaj kërkoi ndjesë për ta duke i arsyetuar me injorancë dhe tha: “Ata nuk e dinë të vërtetën” .

    Pas një beteje iu drejtua njëri dhe i tha: “Shpërndaji plaçkat me drejtësi, o Muhamed, se me këtë ndarje nuk është i kënaqur Allahu” . Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, iu përgjigj: “Mjerë për ty, nëse unë nuk jam i drejtë kush do të jetë i drejtë. Allahu më bëri besnik në tokë mbi pasuritë e Tij e ti nuk më beson” .

    Disa nga sahabët thanë: “Nuk e kemi parë ndonjëherë të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, t’i bënte ndokujt padrejtësi apo t’i bie ndokujt me dorë, përveç se nëse ishte në luftë në rrugë të Allahut dhe asnjëherë nuk i ka ra ndonjë shërbëtoreje apo gruaje” .

    Ishte njeriu më i butë deri në skaj të mundësive të tij dhe durimtar ndaj asaj që shkaktonte neveritje dhe pakënaqësi dhe i përulur ndaj urdhrave të Allahut deri sa i tha atij: “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit” . (El-A’raf: 199) dhe po ashtu i tha: “Pra, falua fajet dhe mos i qorto! Se, Allahu i do bamirësit” . (El-Maide: 13)

    Sa i përket modestisë, i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, edhe pse kishte pozitë të lartë dhe ishte pejgamber, ishte njeriu më modest dhe nuk ishte mendjemadh. Mjafton ta dimë atë se Allahu ia mundësoi të zgjedhë mes profetësisë dhe mbretërisë apo mes profetësisë dhe të qenurit rob i Allahut, dhe ai e zgjodhi që të jetë pejgamber dhe rob i Allahut.

    Ebu Umameh, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, një ditë doli duke qenë i mbështetur mbi shkop dhe kur e pamë u ngritëm të gjithë dhe na tha: “Mos u ngritni ashtu si ngritën jobesimtarët, të cilët e madhështojnë njëri-tjetrin” .

    Dhe tha: “Unë jam rob dhe ha ashtu siç ha robi dhe ulem ashtu siç ulet robi” .

    Ai, alejhi salatu ue selam, hipte mbi gomar dhe i ulte të tjerët pas tij, i vizitonte të mjerët, ulej me fukarenjtë, u përgjigjej ftesës së skllevërve, ulej me shokët e tij dhe i shoqëronte nëpër ndeje.

    Ai, alejhi salatu ue selam, me një hadith tha: “Mos e teproni me lavdërime ndaj meje siç e tejkaluan të krishterët me birin e Merjemes, pasi unë jam rob i Allahut (siç qe edhe Isai, biri i Merjemes), kështu që më thirrni: robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij” .

    Kur thirrej të hajë bukë nga elbi dhe yndyrë (dhjamë të shkrirë) asnjëherë nuk e refuzonte ftesën. Punonte në shtëpinë e vet, i shërbente familjes, i pastronte rrobat, e milte kafshën, i kryente nevojat e veta dhe ato familjare dhe hante me shërbëtorin.

    Sa i takon moralit të tij, na mjafton thënia e Allahut të Madhëruar: “Ti je me virtyte madhore” . (El-Kalem: 4)

    Sad ibën Hisham, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: E pyeta Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të, se si ka qenë morali i të Dërguarit të Allahut dhe më tha: Ti a nuk lexon Kur’an? I thash: Po. Atëherë më tha: Morali i tij ishte Kur’ani.

    Kuptimi i fjalës së Aishes se morali i tij ishte Kur’ani është se pa marrë parasysh se çka e urdhëronte Kur’ani ai e vepronte dhe çka e ndalonte ai u largonte nga ajo. Nuk ka pasur njeri para tij dhe as nuk do të ketë njeri pas tij i cili është stolisur me cilësitë dhe moralin që e kishte i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam. Iu ligjësua Feja më madhështore që nuk iu kishte ligjësuar askujt para tij. Është i Dërguari dhe Lajmëtari i fundit dhe nuk ka të Dërguar dhe Lajmëtar pas tij. Ishte i turpshëm, fisnik, bujar, mëshirues, trim, i butë dhe posedonte cilësi që nuk mundet të përshkruhen.

    Bera ibën Azib, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte njeriu me fytyrë më të bukur dhe me moral më të mirë.

    Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, asnjëherë askujt nuk i ka ra me dorë, as gruas, as shërbëtorit, as skllavit, përveç se kur luftonte në rrugë të Allahut dhe kur i tejkalonte ndonjëri kufijtë e Allahut atëherë hakmerrej për hir të Allahut.

    Imam Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, në librat e tyre shënojnë një hadith nga Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tha: “Nuk ishte i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i degjeneruar dhe i pamoralshëm dhe gjithmonë na porosiste dhe na thoshte: “Me të mirët nga jush janë ata që janë të mirë me familjet e tyre” .

    Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Unë i kam shërbyer Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, për dhjetë vjet, por kurrë nuk më tha: “Eh! (fjala më të lehtë për të treguar pakënaqësi) dhe as nuk më fajësoi për ndonjë gjë e të më thoshte: “Pse e bëre këtë?” Ose: “Pse nuk e bëre kështu?” .

    Kurse sa i takon drejtësisë, sinqeritetit, besnikërisë dhe fjalorit të tij, i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte njeriu më i drejtë, më i sinqertë, më i ndershëm dhe me fjalor më të pastër.

    Këtë e pohuan të gjithë dhe në mesin e tyre edhe armiqtë e tij. Para shpalljes e thirrnin Besniku (Emin) për arsye të moralit të lartë që ia kishte pas dhuruar Allahu të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kur kurejshitët e ndërtuan Qabenë ranë në mospajtim se cili ta vë Gurin e Zi në vendin e vet dhe propozuan mes tyre që i pari i cili hyn tek ata ai ta vë Gurin në vendin e vet. Në ato momente hyri Muhamedi, alejhi salatu ue selam, dhe të gjithë thanë ky është Muhamedi, ky është Besniku, dhe të gjithë u pajtuam që ky të vendon Gurin në vendin e vet, kurse kjo e tëra ishte para shpalljes.

    Kur u takua Ahnes ibën Shurejk me Ebu Xhehlin ditën e Bedrit dhe të dy ishin armiqtë dhe kundërshtarët e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, e pyeti dhe i tha: O Ebu Xhehl, me ne nuk është askush prezent që ta dëgjojë atë që e flasim, më trego sinqerisht Muhamedi a është rrenacak apo i sinqertë? Ebu Xhehli iu përgjigj: “Pasha Allahun, Muhamedi është i sinqertë dhe asnjëherë në jetën e tij nuk ka gënjyer” .

    Armiqtë e tij i pohuan virtytet e tij dhe nuk kanë mundësi që të mohojnë asnjë nga vlerat e tij.

    Argument rreth drejtësisë dhe modestisë së tij të madhe është se mbretërit i nënshtroheshin, armiqtë e tij shpartalloheshin, kurse ai, alejhi salatu ue selam, çdonjërit ia jepte kahun e vet dhe respektin e vet që e meritonte dhe nuk i bënte padrejtësi, derisa thoshte: “Unë dua që ta takoj Allahun duke mos më kërkuar asnjëri nga jush ndonjë hak për padrejtësinë që ia kam bërë në familje apo pasuri” .

    Sa i takon bujarisë dhe fisnikërisë së tij, përcillen shumë argumente se ishte më bujari dhe fisniku.

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ishte njeriu më bujar e i shtohej edhe më shumë bujaria në muajin Ramazan kur e takonte Xhibrilin. Ai me të në këtë muaj takohej çdo natë dhe para tij mësonte Kur’anin. Prandaj i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ishte më bujar se era e dërguar me mirësi të shumta.

    Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Nuk ka lypur ndonjëri prej Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, diçka vetëm se ia ka dhënë. Njëherë i erdhi një njeri, e Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, i dha një tufë të madhe dhensh sa mund të zinte hapësira mes dy kodrave, e pastaj kthehet te populli i tij dhe iu thotë: O njerëz! Pranojeni Islamin, sepse Muhamedi jep sikur ai i cili nuk i frikohet skamjes. Enesi thotë: Edhe pse njeriu pranonte Islamin për shkaqe të dynjasë, nuk kalonte një kohës së shkurtër dhe Islami bëhej më i dashur për të se sa tërë dynjaja dhe ajo që është në të” .

    Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, çdoherë kur u kërkonte diçka nga ai asnjëherë nuk dinte të thotë: Jo!

    Ndodhte që i Dërguari i Allahut, alejhi salatu e selam, kur iu kërkonte diçka të mos posedojë asgjë në atë moment dhe shkonte merrte borxh dhe ia jepte atij që i kërkonte dhe asnjëherë dorën e askujt nuk e refuzonte.

    Kjo ishte cilësi e njohur e tij edhe para shpalljes derisa Hatixhja, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha se ti i viziton të afërmit, po u ndihmon jetimëve dhe atyre që nuk janë të aftë, u jep të varfërve, je mikpritës dhe po u ndihmon atyre të cilët e mbrojnë të vërtetën.

    Sa i takon trimërisë së tij, ai, alejhi salatu ue selam, ka prezantuar në raste të vështira të njohura, nga të cilat raste kanë ikur trimat e mëdhenj më shumë se një herë. Ndërsa ai ka qëndruar aty, nuk është kthyer, ka mbetur në vendin e tij, ka ndenjur përballë tyre, nuk ka kthyer shpinën, as nuk është dridhur. Ai nuk ka ikur asnjëherë. Ai (Allahu) e ka mbrojtur nga kjo.

    Ali ibën Ebi Talibi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcillet se ka thënë: Kur lufta vështirësohej të skuqeshin sytë mbroheshim me Pejgamberin, alejhi salatu selam, asnjëri nuk ishte me afër armikut se ai! Po të më shihnit ditën e Bedrit se si neve strehoheshim me Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, ai ishte më së afërmi me armikun. Ai atë ditë ishte njeriu më i vështirë në luftë.
    Përcillet nga Ebi Is’hak Sebiji se ka thënë: Një njeri e pyeti Bera ibën Azib, Allahu qoftë i kënaqur me ta, a ka ikur nga Pejgamberi, alejhi salatu ue selam? Berau tha: Mirëpo Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, nuk ka ikur, fisi Heuazin atë ditë ishin gjuajtës, ne nuk i sulmuam ata, ata u ndalën, pastaj shkuan të marrin plaçkën, ata na pritën me shigjeta. E kam parë Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, mbi mushkën e tij të bardhë, Ebu Sufjan ibën Harithi e kishte kapur prej litari, ai thoshte: Unë jam Pejgamber nuk jam gënjeshtar, unë jam biri i Abdul Mutalibit.

    Përcillet nga Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ai ka thënë për trimërinë e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, në ditën e Hunejnit: Kur u takuan muslimanët me mushrikët, muslimanët filluan të ikin, Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, filloi të nxisë mushkën e tij kah mushrikët. Unë e kapja prej litari që ta ndali nga dëshira që të mos shpejtonte.

    Imam Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, nga Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka qenë njeriu më i mirë, ai ishte më fisniku, ai ishte më trimi nga njerëzit! Një natë banorët e Medinës u trishtuan nga një zë. Disa njerëz u nisën kah ana e zërit, ata e takuan Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, ai i kishte parakaluar tek vendi i zërit. Ai ishte mbi një kalë të Ebu Talhasë, pa samarë në qafën e tij, kishte varur shpatën, ai tha: “Nuk jeni kujdesur, nuk jeni kujdesur” .

    Këto ishin disa nga virtytet e shtrenjta dhe cilësitë e larta dhe të ndershme me të cilat e zbukuroi Allahu i Madhëruar të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam.

    Dr. Ahmed Ferid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

  • TË MBROJTURIT E SUNETIT NGA ATA QË E FYEJNË

    TË MBROJTURIT E SUNETIT NGA ATA QË E FYEJNË

    Falënderimi i takon vetëm se Allahut i Cili na mundësoi që ta shijojmë ëmbëlsinë e imanit. Atë e falënderoj dhe lavdëroj dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkoj. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, birin e Abdullahut dhe rob të Allahut.

    O muslimanë, nga esenca e besimtarëve dhe dijetarëve të hadithit dhe sunetit, mbrojtësve të fesë dhe bartësit e saj, të cilët e morën rrugën e njerëzve të mirë dhe i pasuan gjurmët e të parëve tanë është, të madhëruarit e Kur’anit dhe sunetit. Kur’ani është pajisja e tyre, suneti argumenti i tyre, kurse i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, shëmbëlltyra e tyre.

    Ata ua mësojnë njerëzve teuhidin dhe akiden, e ndihmojnë sheriatin, i luftojnë risitë e përhapura, i urrejnë fraksionet, nuk përkrahin njeri apo parti apo fjalë, të cilët miqësohen dhe armiqësohen, me ata që nuk veprojnë sipas Kur’anit dhe Sunetit. Ata nuk kanë të pasuar përveç se të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. E njohin jetën e tij, i madhërojnë thëniet e tij, atyre u besojnë thellësisht dhe u binden tërësisht, atyre u nënshtrohen dhe nga ta asnjëherë ato thënie nuk refuzohen.

    Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Bie poshtë çdo gjë që e kundërshton urdhrin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe nuk i barazohet atij as një mendim e analogji dhe Allahu e ndërpreu justifikimin nëpërmjet thënies së tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të”.

    Omer ibën Abdulazizi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Nuk barazohet asnjë mendim me traditën që e ligjësoi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të”.

    Sunetin nuk e refuzon vetëm se i hallakaturi, dhe nuk e kundërshton vetëm se i sëmuri, dhe nuk e fyen vetëm se fatkeqi. Ai që nuk i pranon hadithet e vërteta, ku për to nuk ka divergjencë në mesin e dijetarëve sa i përket vërtetësisë së tyre, vetëm se e ka kundërshtuar Ehli Sunetin dhe të parët e Umetit, dhe është fundosur në errësirat e të devijuarve dhe të humburve.

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush e refuzon hadithin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut, është afër shkatërrimit”.

    Ebu Tahir, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Çdo njëri që e refuzon hadithin e vërtetë nga i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe nuk e pranon si të tillë, vetëm se ka devijuar dhe është humbur, ngase ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk flet nga hamendja”.

    Imam el Barbaharij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kur e sheh se një njeri fyen në sunet apo e refuzon atë, apo i le hadithet e vërteta dhe do të merr të tjera, atëherë akuzoje në fenë e tij dhe mos dysho se ai është shpikës në fe dhe pasues i epsheve”.

    Ibën Vezir, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Përgënjeshtrimi i hadithit të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me vetëdije të plotë dhe duke e ditur vërtetësinë e tij, është kufër i qartë”.

    O muslimanë, atij që i prishet besimi dhe morali e refuzon Sunetin, kurse e përgënjeshtron atë kur nuk përputhet me mendjen e tij të sëmurë dhe me mendimin e tij të qortuar.

    Muadh ibën Muadh përcjell se e ka dëgjuar Amru ibën Ubejd, i cili është një nga mu’etezilitë e mëdhenj, se e ka cekur një hadith të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, sa i përket kaderit (përcaktimit të Allahut), dhe ka thënë: Po ta dëgjoja Eameshin se e thotë këtë hadith do ta përgënjeshtroja dhe po ta dëgjoja të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, do ta refuzoja dhe po ta dëgjoja se Allahu e thotë këtë, do i thosha: nuk e ke marrë besën nga ne për këtë.

    Allahu na ruajttë, Allahu na ruajttë, çfarë fjalë të fëlliqura!!

    O muslimanë, nuk ka shpërblim tjetër për atë që fyen dhe shpifën mbi fjalën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, përveç se dënimit të tij dhe të penguarit e tij nga ato fjalë, me qëllim të mbrojtjes së sheriatit dhe sunetit dhe mbrojtjes së vlerës dhe pozitës së Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

    Ebu Muavije, Allahu e mëshiroftë, i foli Harun Reshidit, Allahu e mëshiroftë, për hadithin: “Iu argumentua Musai Ademit, alejhi selam”. Atëherë një njeri tha: Ku e ka takuar Musai, alejhi selam, Ademin, alejhi selam?! Harun Reshidi u zemërua tepër dhe tha: për ty vetëm se shkëmb dhe shpatë (qëllimi i tij ishte shkëmb a trung për t’ia prerë kokën me shpatë), ti je hipokrit, e fyen hadithin. Ebu Muavije nisi ta qetësonte dhe vijoi kështu për një kohë të gjatë, duke i thënë: O prijës i besimtarëve, ishte një gjest i pakontrolluar nga ana e tij. Kjo gjë vazhdoi, derisa Harun Reshidi u qetësua dhe njeriu u pendua nga fjalët e tij.

    O muslimanë, kundërshtarëve të Sunetit kur u ballafaqohet e kota e tyre me hadithet e vërteta, atëherë fillojnë të kundërshtojnë dhe të debatojnë dhe të përdorin komentin e tyre sipas mendjes së tyre.

    Nuk ka armiqësi më të madhe për Sunetin dhe për atë që e pasojnë, se sa nga ata që gënjeshtrën e kanë marrë për fe (qëllimi është për shijat), dhe të cilët i nxjerrin nga feja njerëzit më të mirë pas pejgamberëve, shokët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i nxjerrin nga feja ata që i donë dhe janë të kënaqur me ta, dhe e bëjnë hallall gjakun e muslimanëve dhe pasurinë dhe nderin e tyre, sipas transmetimeve dhe përrallave që i kanë shpikur dhe trilluar nga vetvetja, duke pretenduar se ato janë nga krijesa më e mirë në tokë, Muhamedin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

    Ata e pretenduan bartjen e flamurit të luftës kundër armikut, a në fakt ata janë mbrojtësit e tyre dhe krahu i tyre. Kush sulmon armikun me britma dhe klithme, kurse muslimanët me aeroplanë dhe me artileri të rëndë dhe me armë zjarri, nuk mund ta luftojë armikun dhe as të mbrohet nga sulmet, madje ai është ndihmësi i armikut kundër Islamit dhe muslimanëve.

    S’ka mundësi të shpëtojnë mashtruesit e fëlliqur që ta ndryshojnë historinë e ruajtur apo ta paraqesin fytyrën e fëlliqur të tyre me pamje tjetër më të mirë, kur besimi i tyre e lejon vrasjen e fëmijëve dhe grave dhe pleqve, dhe e lejon shkatërrimin e shtëpive dhe xhamive dhe qyteteve të tyre.

    Allahut i takon çështja para dhe pas saj: ”Sikur të donte Allahu, ata nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin, por Allahu bën si të dojë Vetë”. (El-Bekare: 253); ”Sikur të donte Allahu, do t’i shkatërronte ata, por Ai dëshiron t’ju sprovojë juve me njëri-tjetrin. Ai nuk ua humb veprat atyre që vdesin në rrugën e Allahut. Ai do t’i udhëzojë ata, do t’ua përmirësojë gjendjen dhe do t’i shpjerë në Xhenet, të cilin ua ka bërë të njohur më parë”. (Muhamed: 4-6)

    Dëshmor i lumtur është ai që vdes duke e ndihmuar dhe përkrahur teuhidin, kurse fatkeq dhe i mallkuar është ai që vdes duke e mbrojtur dhe përkrahur shirkun dhe të kotën: “Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm”. (El-Haxh: 40)

    SALAH IBËN MUHAMED EL BUDEJRI

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • LIDHJA FAREFISNORE

    LIDHJA FAREFISNORE

    Farefisnia është njëra prej nënshtrimeve më me vlerë dhe më me pozitë, më e bekuar dhe më së shumti që bën dobi në këtë botë dhe në ahiret.

    Farefis i një njeriu konsiderohen të afërmit e tij prej gjaku, si baba, nëna, vëllai, motra, djali, vajza dhe çdo person që ka lidhje gjaku me to. Familja e gruas për burrin e saj s’janë farefis, e as familja e burrit për gruan e tij s’janë farefis, për shkak se mes tyre s’ka lidhje gjaku, por mes tyre ekziston lidhje krushqie. Thotë Allahu, azze ue xhel: “Edhe ata që u bënë besimtarë më vonë, që mërguan dhe luftuan bashkë me ju, janë vëllezërit tuaj; ndonëse, sipas Librit të Allahut, besimtarët që kanë lidhje farefisnore, janë më të afërt për njëri-tjetrin (në ndarjen e trashëgimisë). Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë (El-Enfal: 75)

    Allahu, azze ue xhel, na porositi respektimin e farefisnisë, dhe e bëri këtë porosi shumë të afërt me porosinë e devotshmërisë, thotë Allahu, azze ue xhel: “Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju”. (En-Nisa: 1)

    Ibën Abasi thotë se komenti i këtij ajeti është: “Frikësojuni Allahut me respektimin e urdhrave të Tij dhe largimin prej mëkateve që i ka ndaluar Ai, mos i shkëputni lidhjet farefisnore, por respektoni, vizitoni dhe silluni mirë me ato.”

    Allahu, azze ue xhel, në ajetin: “Jepja të drejtën e tij të afërmit, edhe të varfrit, edhe udhëtarit! Kjo është më e mirë për ata që e duan kënaqësinë e Allahut. Pikërisht ata do të jenë të fituarit” (Er-Rum: 38), na bënë të qartë se njeriu ndaj farefisnisë ka obligime që detyrohet t’i kryej, qofshin materiale apo morale.

    Respektimi i lidhjes farefisnore ishte prej gjërave të para që thirri Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, kur iu shpall profetësia. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre tregimin e Ebu Sufjanit me Hiraklin (Mbretin e romakëve në atë kohë), se i patë thënë Herakliu Ebu Sufjanit: “Në çka ju urdhëron Muhamedi?” Përgjigjja e Ebu Sufjanit ishte: “Ai na urdhëron që ta adhurojmë vetëm Allahun dhe mos t’i bëjmë shok Atij, t’i lëmë besimet e mëhershme dhe atë çka e thonë baballarët tonë, na urdhëron në faljen e namazit dhe na urdhëron në sinqeritet, virtytshmëri dhe respektimin e farefisnisë.” (Buhari 7, Muslimi 1773)

    Respektimi i lidhjes farefisnore është një prej shkaqeve që ta lehtëson furnizimin dhe ta zgjat jetën në dynja, kurse në ahiret është shkak që të fut në Xhenet dhe të mbron prej zjarrit të Xhehenemit. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre, prej hadithit të Ebu Ejub el Ensarijut, radijallahu anhu, se Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, gjatë udhëtimit iu paraqit një banor i shkretëtirës dhe e pyeti. “O i Dërguar i Allahut, më trego se cilat vepra më afrojnë Xhenetin e Allahut dhe cilat vepra më largojnë prej Xhehenemit të Allahut?” – Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, u ndal, i shikoi shokët e tij, e pastaj tha: “Vetëm se u mbarësua, apo vetëm se u udhëzua.” – Pastaj tha: “Si the.” – Banori i shkretëtirës e përsëriti edhe një herë pyetjen e tij. – Pastaj Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Ta adhurosh Allahun dhe mos t’i bësh shok Atij, ta falësh namazin dhe ta japësh zeqatin, ta respektosh farefisin” (Buhari 1397, Muslimi 13)

    Me një transmetim tjetër: “Si ta praktikojë atë çka u urdhërua, do të hyjë në Xhenet.” (Muslimi 13)

    Në një hadith tjetër Enes ibën Malik, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai njeri që dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë marrëdhëniet farefisnore.” (Buhariu 2067, Muslimi 2557)

    Mosrespektimi i farefisit dhe shkëputja prej tyre janë prej mëkateve të mëdha, që Allahu e paralajmëroi dhe i premtoi vepruesit të tyre se do ta ndëshkon me dënime të ndryshme në këtë botë dhe ahiret. Thotë Allahu, azze ue xhel: “Sa për ata që shkelin besëlidhjen me Allahun, pasi janë zotuar për atë, e që këpusin lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të ruhen dhe bëjnë çrregullime në Tokë – mbi ta rëndon mallkimi dhe përfundimi i keq!” (Er-Ra’d: 25)

    Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre na përcjellin hadithin e Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pasi që Allahu i krijoi të gjitha krijesat, lidhja farefisnore tha: “Kjo është pozita që kërkon strehim prej teje nga këputja e lidhjes farefisnore.” Allahu, azze ue xhel, tha:” Po, a nuk dëshiron që të mbaj lidhje me atë që mban lidhje me ty dhe t’i ndërpres më atë që i ndërpret me ty?” Ajo tha: “Po, s’i jo o Zoti im.” Tha Allahu, azze ue xhel: “Ajo është për ty.” Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Lexoni nëse dëshironi: “A pritet prej jush (hipokritëve) që në nëse merrni sundimin (ose zmbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet e akraballëkut?” (Muhamed: 22) (Buhariu 5987, Muslimi 2554)

    Transmeton imam Tirmidhiu në Sunenin e tij prej hadithit të Ebi Bekrës, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: S’ka mëkat që më së shumti e meriton përshpejtimin e dënimit të Allahut, duke mos e anashkaluar atë në ahiret, si mëkati i bërjes padrejtësi dhe i shkëputjes së lidhjes farefisnore.” (Tirmidhiu 2511)

    Ai që i ndërpret lidhjet familjare, kanoset me mos hyrjen e tij në Xhenet. Transmeton Xhubejr ibën Mutim, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai i cili këput lidhjet farefisnore.” (Buhariu 5984, Muslimi 2556)

    Respektues i lidhjes farefisnore konsiderohet ai person i cili e respekton dhe e viziton farefisin edhe ata kur shkëputën prej tij dhe nuk e respektojnë. Përcillet prej Abdullah ibën Amru ibën el As, radijallahu anhu, se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thanë: “Nuk mban lidhjet farefisnore ai që kthen (vizitat), por është ai që kur i ndërpritet farefisnia i rivendos lidhjet me ta.” (Buhariu 5991)

    Transmeton imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në Sahihin e tij prej Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se një njeri erdhi te Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, dhe i tha atij: “O i Dërguar i Allahut! Unë kam disa të afërm me të cilët mbaj lidhje farefisnore, kurse ata nuk mbajnë me mua, u bëj mirë, kurse atë më bëjnë keq dhe sillem butë me ta, kurse ata sillen me arrogancë ndaj meje. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Nëse vërtet është ashtu s’i thua ti, atëherë është njësoj sikur t’i ushqesh ata me hi të nxehtë, dhe vazhdimisht do të jetë me ty një ndihmës i Allahut kundër tyre, përderisa je në këtë gjendje.” (Muslimi 2558)

    Komentuesit e këtij hadithi thonë: “Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tregon dënimin e tyre se sa është i dhimbshëm, dhe i përngjason me vuajtjet e ngrënësit të hirit të nxehtë. Kjo e tëra vjen si rezultat i shkëputjes së lidhjes familjare dhe arroganca e tyre ndaj atij që i viziton.”

    Respektimi i lidhjes farefisnore arrihet me veprimin e mirësisë ndaj tyre, edhe atë me çka mundet njeriu. Thotë Ebi Xhemreh, Allahu e mëshiroftë: “Farefisnia respektohet me pasuri, me ndihmë kur kanë nevojë, me buzëqeshje, me lutje për to, etj.”

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Obligohet respektimi i lidhjes farefisnore me dashuri, me këshilla mes vete, me drejtësi, me dhënien e të drejtave obliguese dhe atyre të pëlqyera, pastaj me shpenzim për të afërmin dhe me mos përgojimin e të metave të tyre, etj.

    Kuptimi i përgjithshëm i lidhjes farefisnore është respektimi i tyre sa mundet në të mirë dhe largimin e sherrit prej tyre sa ka mundësi. Pra, çdo send varet prej mundësisë dhe prej fuqisë së njeriut, pastaj prej gjendjes dhe prej pozitës së tij dhe prej marrëdhënieve familjare dhe prej asaj se sa i lehtësohet atij kjo gjë. Thotë Allahu, azze ue xhel: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka”. (El-Bekare: 286)”.

    Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Pëlqehet t’i jepet përparësi nënës në dëgjueshmëri dhe mirësi, e pastaj babës, pastaj fëmijëve, pastaj gjyshërve dhe gjysheve, pastaj vëllezërve dhe motrave, pastaj të gjithë mahremeve prej familjes, si xhaxhallarëve, dajallarëve, hallave, tezeve, etj. Pra, i jepet përparësi më të afërmit, e pastaj tjetrit më të afër dhe kështu me rrallë.”

    Hakimi në Mustredekin e tij na transmeton hadithin e Ebi Remtheh, radijallahu anhu, i cili thotë se e ka dëgjuar Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, duke thënë: “Nëna jote, pastaj babai yt, pastaj motra dhe vëllai, pastaj të tjerët me radhë me nivel më të ulët.”

    Dhënia e lëmoshës në farefis, e dyfishon shpërblimin e dhënësit të saj. Transmeton Tirmidhiu prej Sulejman ibën Amir, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Lëmosha për fukaranë është vetëm lëmoshë, ndërsa për farefisin lëmoshë dhe lidhje farefisnore.” (Tirmidhiu 658)

    Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Mejmunës bint el Harith, radijallahu anha, e cila e liroi një robëreshë, pa marrë leje prej Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, dhe më vonë i tha Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem,: “O i Dërguar i Allahut, a vërejte se e lirova robëreshën time? Tha: “A e bëre?” – Ajo tha: “Po.” – Atëherë i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, i tha: “Po t’ia kishe dhuruar tezeve tua, do të kishe më shumë shpërblime”. (Buhari 2592, Muslimi 999)

    Dr. Emin ibën Abdullah esh Shekaui   

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • ËMBËLSIA E IMANIT

    ËMBËLSIA E IMANIT

    Ai i cili mediton rreth çështjeve të jetës dhe gjendjes së njerëzve sheh qartë se në shoqëri ka një grup njerëzish që jetojnë një jetë me lodhje dhe brenga. Nga gjokset e tyre nuk del tjetër përveç se irritim, pikëllim dhe ankim, gjëra që e largojnë sigurinë e qetësinë dhe kënaqësinë e rehatinë, kurse shpirtrat e tyre janë të zhytura në zili e urrejtje dhe smirë e armiqësi dhe vuajtje e depresion.

    Në shoqëri po ashtu ekziston edhe një grup tjetër të cilët jetojnë në begati dhe rehati, janë bujar për vetveten dhe bujar për njerëzit me zemra të mira dhe gjoks të shëndoshë dhe fytyrë të buzëqeshura. Cili është dallimi mes këtyre dy grupeve? Çka është ajo që i distancoi mes veti këta dy grupe? Ajo është imani dhe ëmbëlsia e tij.

    I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “E ka shijuar ëmbëlsinë e imanit ai që është i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si Fe dhe me Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të dërguar”.

    Po ashtu me një hadith tjetër na lajmëroi se: “Tri gjëra kush i zotëron ai e ka shijuar ëmbëlsinë e besimit: të jetë Allahu dhe i Dërguari i Tij më i dashur se çdo gjë tjetër, ta dojë njeriun vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë kthimin në kufër, ashtu si e urren hedhjen në zjarr”.

    Ëmbëlsia e imanit është ëmbëlsi e brendshme në shpirtin e kënaqur dhe zemrën e qetësuar ku qarkullon si uji në dru dhe gjaku në venë. Në atë shpirt nuk ka pikëllim dhe brenga po mëshirë e kënaqësi dhe begati e rehati: Kjo dhunti është nga Allahu, e mjafton që Allahu e di çdo gjë”. (En-Nisa: 70), dhe “Ajo është mirësia e Allahut, që Ai ia jep kujt të dojë; e Allahu ka mirësi të pafund”. (El-Hadid: 21)

    Imani në Allahun është qetësi për shpirtin, udhëzim për zemrën, fener për ndjekësit e rrugës, shpresë për të dëshpëruarit, garanci për të frikuarit, ndihmë për luftëtarët në rrugë të Allahut dhe përgëzim për të devotshmit. Imani është baba i optimizmit dhe vëllai i guximtarit dhe shoku i shpresës. Imani është besimi në vetvete, lavdia dhe fama e Umetit dhe shpirti i popujve.

    Rruga e parë për të arritur deri tek ëmbëlsia e imanit dhe shijimi i lumturisë është të jesh i kënaqur me Allahun si Zot. Ai është që përkujdeset për çdo gjë, i Gjithëmëshirshmi i tokës dhe i ahiretit dhe Mëshirëploti i tyre, Krijuesi i jetës dhe vdekjes, dhuruesi i begative, i Cili i përgjigjet nevojtarit kur i lutet dhe ia largon të keqen, i Cili njeriun e krijoi në formën më të përsosur dhe i fryri nga shpirti i Tij, e ushqeu kur ishte i uritur, e veshi nga lakuriqësia, e siguroi nga frika, e udhëzoi nga devijimi dhe e mësoi pasi që ishte injorant dhe i paditur.

    Me imanin në Allahun shpirti i nënshtrohet Zotit të tij, e synon kënaqësinë e Tij, largohet nga epshet dhe dëshirat e tij, e adhuron Allahun e tij dhe nga Ai frikohet dhe Atij i nënshtrohet, në Dorën e të Cilit është çdo çështje dhe tek Ai kthehet çdo gjë. Duke qenë i kënaqur me Allahun si Zot dhe me bindje të plotë e nxit robin që t’i ngrit duart e tij me frikërespekt dhe i përulur e të thotë: “O Zot im, të lutem me anë të kënaqësisë Sate të më mbrosh nga hidhërimi Yt. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga Ti. Unë nuk mund të të madhëroj ashtu siç e meriton Ti. Ti je i Madhëruar, ashtu siç e ke përshkruar Veten”.

    Rruga e dytë për të arritur deri tek ëmbëlsia e imanit dhe shijimi i lumturisë vjen kur je i kënaqur me Islamin si Fe. Fe e Allahut të cilën ia zbriti të Dërguarit të Tij dhe dëshiroi të jetë Fe e robërve të Tij dhe nuk pranon Fe tjetër përveç se fesë së Tij. Islami është burimi i kënaqësisë dhe i ndriçimit dhe burimi i lumturisë dhe i udhëzimit.

    Rruga e tretë për të arritur deri tek ëmbëlsia e imanit dhe shijimi i lumturisë vjen kur je i kënaqur me Muhamedin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, si i Dërguar dhe si Lajmëtar. Muhamedi është këshillues i sinqertë, mëshirë për njerëzimin dhe shëmbëlltyrë më e mirë dhe nuk ka mundësi t’i afrohet askush nga njerëzit dhe t’i afrohet dhe konkurron në gjykim: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre”. (En-Nisa: 65)

    I kënaqur me Muhamedin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, si shëmbëlltyrë dhe yrnek dhe me praktikimin e traditës së tij dhe pasimin e udhëzimit të tij.

    Kur imani depërton në zemrën e një robi dhe vendoset në të jeta i lehtësohet dhe kur robi ec nëpër tokë është i drejtë dhe mesatar në ecjen e tij, kur lëviz lëvizën me devotshmëri dhe çdo lëvizje e tij është imanore dhe e qetë: Kur Unë e dua, atëherë bëhem dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij me të cilin shikon, dora e tij më të cilën kap, mësyn dhe vepron, dhe këmba e tij me të cilën ecën. Në qoftë se do të kërkojë prej Meje, unë do t’i jap atë që kërkon, dhe nëse kërkon që ta mbroj, Unë do ta mbroj”.

    Kush e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit jeta i bëhet e lumtur dhe njeh rrugën e tij, e kush e njeh rrugën e tij ecën i kujdesshëm kurse ai që ecën i kujdesshëm e fiton kënaqësinë dhe e arrin qëllimin e tij.

    Besimtari vazhdon në rrugën e tij dhe nuk mërzitet aspak për atë që e përjeton. I gjithë shikimi i tij dhe mendimi i tij është i ndërlidhur me diçka më të vlefshme dhe më të lartësuar: “O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty!”. (El-Fexhr: 27-28); “A është njëlloj si ai që Allahu ia ka hapur kraharorin për të pranuar Islamin, duke qenë kështu në dritën e Zotit të vet, (ashtu edhe ai që e ka zemrën të mbyllur ndaj besimit?!)”. (Ez-Zumer: 22)

    O ti vëlla musliman, Allahu të mëshiroftë, a ke parë zbukurim dhe pamje më të mirë se sa ai i njerëzve të mirë?

    Allahu të begatoftë, a ke parë lodhje dhe pagjumësi më të ëmbël se sa ajo e atyre që falen natën?

    Allahu të ruajt, a ke parë ujë më të pastër dhe më të butë se sa lotët e atyre që pendohen nga gjynahet dhe atyre që kërkojnë falje?

    Allahu u përkujdestë për ty, a ke parë modesti dhe përulje më të mirë se sa përulja e atyre që bien në ruku dhe sexhde?

    Allahu të dhëntë shëndet, a ke parë Xhenet në dynja më të mirë dhe më bukur se sa Xheneti i besimtarit, e ai është në mihrabin e adhuruesve?

    Kjo është ëmbëlsia e imanit të atyre që e shijojnë në adhurim dhe nënshtrim.

    Besimtari i afrohet dynjasë i qetë i lumtur dhe i kënaqur me të gjitha përcaktimet e Allahut pa marrë parasysh ndryshimeve të gjendjeve dhe nevojave të tij. Ai nuk mërzitet për atë që shkoi dhe kaloi dhe nuk gëzohet dhe nuk bëhet mendjemadh për atë qe e fitoi. Imani dhe kënaqësia tek ai janë paralele me mbështetjen dhe përqendrimin. Ai nuk zemërohet nga caktimet e Allahut, nuk largohet nga puna, i merr shkaqet dhe sebepet dhe përpiqet e mundohet pa ankim. Stema dhe parulla e tij është: “Suksesi im varet vetëm nga Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem”. (Hud: 88)

    Ai është i bindur se: “Ajo që nuk të ka goditur, as që ka mundur të të godasë, kurse ajo që të ka goditur, nuk ka mundur të të godasë”.

    Ai e di se nëse të gjithë banorët e tokës dhe qiejve mblidhen që t’i bëjnë dobi nuk kanë mundësi t’i bëjnë nëse ajo nuk është e caktuar nga ana e Allahut dhe nëse ata mblidhen që t’i bëjnë dëm nuk kanë mundësi t’i bëjnë nëse Allahu nuk e ka caktuar atë. Ai nuk e dëmton veten e vet dhe nuk e lejon që të poshtërohet apo nënçmohet. Allahu na ruajt që ai ta kërkon lumturinë në ndeje dhe nënçmim dhe përtaci, por ai ecën në jetë duke vepruar dhe punuar me drejtësi dhe durim dhe duke garuar me të tjerët në mirësi. Ai sprovat dhe belatë i kupton si mëshirë dhe falje gjynahesh dhe ngritje të gradave dhe për këtë ai duron dhe nuk lëkundet aspak gjatë sprovave të jetës dhe mbetet i kënaqur: “Çudi me punën e besimtarit, tërë çështja e tij është e mirë për të, dhe kjo nuk i takon askujt përveç besimtarit; nëse e godet diç e mirë falënderon dhe kjo është e mirë për të. Po kështu nëse e godet diç e keqe ai bën durim dhe është mirë për të”.

    Imani i fortë e mbron besimtarin nga frika e koprracia dhe dembelia e brengat: “Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!”. (Et-Teube: 51); “Me të vërtetë, Zoti yt i jep me bollëk e ia kufizon (riskun) kujt të dëshirojë”. (El-Isra: 30) Kurse me një hadith përmendet se: “O Zoti im, nuk ka kush e ndalon atë që Ti e ke dhënë dhe s’ka kush e jep atë që Ti e ke ndaluar, (te Ti) nuk ka vlerë dobia e askujt, ngase çdo dobi vjen prej Teje”.

    Besimtari ec nëpër jetë sipas këtyre bazamenteve dhe parimeve, nëse i jepet e pranon dhe falënderon, nëse i merret është i kënaqur dhe duron, nëse urdhërohet vepron, nëse kërkohet të largohet nga diçka distancohet dhe nëse bën gjynah pendohet.

    Me këtë iman dhe me shijimin e ëmbëlsisë së tij besimtari largohet nga epshi dhe mbrohet nga ngacmimet e shejtanit dhe sprovat e dynjasë dhe pasurisë dhe nga koprracia dhe përtacia dhe kalon në fisnikëri e bujari dhe dhënie me kënaqësi.

    Kujt i dobësohet imani bërtet dhe ankohet kur sprovohet për arsye se ai nuk e di se çka është sprova dhe i frikohet udhëtimit për arsye se nuk ka furnizim dhe e humb rrugën për arsye se nuk ka udhëheqës.

    Kush e humb imanin e tij vetëm se i ndryshohet gjendja, vepron dhe thotë çka të dojë, ec nëpër dynja pa llogari, nuk ka besim në vetveten dhe në njerëzit, nuk mëshiron dhe vetëm se përçan.

    Pa iman dhe pa shijimin e ëmbëlsisë së tij njerëzit shndërrohen në egërsira e shkëpusin litarin me Allahun dhe me njerëzit, i nënshtrohen shpirtit i cili është i prirë fort për të keqen dhe i bashkëngjiten shejtanëve nga njerëzit dhe xhindet.

    Civilizimi bashkëkohorë me teknologjinë dhe me materializmin e tyre është argument më i mirë se lumturinë nuk e realizojnë epshet e dynjasë dhe materializimi i saj. Në mesin e tyre nuk sheh vetëm se njerëz me probleme pa lumturi të pikëlluar dhe të dhënë pas epsheve dhe pasioneve pa kufi dhe ky sistem jete bëri që të trashëgojnë sëmundje shpirtërore, çrregullime shoqërore dhe ideologji të devijuara sa që u dhanë pas drogës dhe alkoolit dhe vizitës së spitaleve psikiatrike dhe pirjes së barnave për qetësim: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër”. (Ta Ha: 124) dhe “Atij që dëshiron ta lërë në humbje, (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell”. (El-En’am: 125)

    Shejh Dr. Salih El Humejd      

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU   

     

     

     

     

  • EDUKIMI I VAJZAVE

    EDUKIMI I VAJZAVE

    Vajza në Islam ka pozitë të lartë. Lindja e saj është gëzim i madh dhe përgëzim madhështor. Ajo edukon breza, ajo prodhon trima, ajo është simbol i turpit, ajo është adresa e nderit!

    Islami e lartësoi dhe e ngriti pozitën e vajzës në Islam, dhe i kushtoi respekt të veçantë. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: Kur hynte Fatimja, e bija e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ai u ngritke, e puthte dhe e ulte në mexhlisin e tij.

    Nga fisnikërimi i vajzës është edhe ky tregim, i cili në vete përmban domethënie edukatore të madhe. Ebu Katade, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, falej dhe e mbante Umamen, bijën e Zejnebit, vajza e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Kur binte në sexhde, e ulte afër, kur u ngritke, e merrte me vete në krahë.

    Vajzat janë begati e dhuruar nga Allahu. Vlera e tyre nuk mohohet, ato janë nënat, motrat, gratë e tona. Allahu e bëri vajzën të jetë çelës i Xhenetit për prindërit e saj, t’ua lehtësojë atyre rrugën për në Xhenet dhe t’i largojë nga zjarri i Xhehenemit. Madje atyre që sillen mirë ndaj tyre, duke ua mësuar moralin dhe duke i edukuar mirë, u garantoi ringjalljen me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

    Përgëzime për ty, o ti prind i vajzës, me këtë respekt dhe nder nga ana e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Si mos të përgëzohesh, kur ti, me edukimin e mirë të tyre, përgatit popull dhe ndërton ardhmëri!

    Ukbetu ibën Amir, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush i ka tri vajza dhe bën durim në rritjen e tyre, si dhe i vesh e i mbath nga pasuria e vet, ato do të jenë për të shpëtim nga zjarri”.

    Xhabir ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ai që ka tri vajza dhe i edukon ato, është i mëshirshëm dhe kujdeset ndaj tyre, e ka të garantuar Xhenetin e përhershëm”. Shokët i thanë: “O i Dërguari i Allahut, e nëse i ka dy vajza”? Tha: “Edhe nëse i ka dy vajza”.

    Xhabiri thotë: “Disa menduan se, sikur të pyetnin edhe për një vajzë (d.m.th. për edukimin e një vajze, – sh.p.), do të kishte thënë i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se kjo vlen edhe për një vajzë.

    Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush kujdeset dhe edukon dy vajza derisa ato të rriten, në Ditën e Gjykimit do të jemi unë dhe ai kështu – dhe bashkoi dy gishtat e tij-(d.m.th. së bashku, – sh.p.)”.

    Edukimi i vajzave pra, ka një rëndësi të madhe, dhe është një vepër e cila të afron për te Allahu.

    Gruaja muslimane ka ndikim të madh në jetën e çdo muslimani. Ajo është medreseja e parë në ndërtimin e një shoqërie të mirë, ajo është shtylla e ardhmërisë, ajo është gruaja e sinqertë, dhe nëna e mëshirshme dhe edukatorja e fëmijëve. Nëse vajza rritet me edukatë të mirë, e kapur për fe, dhe me sjellje të drejtë, me lejen e Allahut, ne garantojmë formimin e një familjeje muslimane, e cila do të nxjerr breza të hajrit, të forta në besim dhe devotshmëri. Ato vajza do të jenë burim i mirësisë dhe devotshmërisë, që ndërtojnë shoqëri dhe jo që e prishin, që krijojnë familje dhe jo që ikin nga ato, dhe që e përhapin mirësinë dhe dashurinë. Allahu thotë: “Gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu”. (En-Nisa: 34)

    Edukata e drejtë e vajzës kërkon bashkëpunim të fortë mes prindërve mes veti dhe po ashtu organizim ideologjik mes tyre, që ajo edukatë ta jep frytin e vet.

    Themeli i parë në formimin e personalitetit të vajzës, është përqendrimi në dashurinë ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, mësimi i detyrimeve fetare, rritja e saj nga vegjëlia mbi parime fetare dhe mbi vlera fetare, dhe mbjelljen e gjithë këtyre parimeve tek ajo me bindje dhe edukatë. Po ashtu ajo që ndihmon në edukimin e shëndoshë dhe në formimin e ideologjisë së pastër, janë rrëfimet mbi nënat e besimtarëve, grave të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe rrëfimet mbi gratë e sahabëve, të cilat me edukatën e tyre ndërtuan breza madhështor.

    Edukata e arrin vlerën e vet, atëherë kur nëna bëhet shembull për të bijën e vet, duke i nxjerr në vepra vlerat islame, me sjellje të mirë në ecjen e saj, veshjen e saj dhe moralin e saj. Në këtë rast e bija e pason të ëmën e vet dhe bëhet pamje e realët e nënës së saj në sjellje dhe moral.

    Ajo që na bën të mërzitemi është shkujdesja e disa prindërve në edukimin e vajzave të tyre. Kjo vjen nga dobësimi i imanit, injoranca mbi vlerat islame, derisa vajzat e tyre ecin pa mbulesa, dhe me rroba të shkurtra, që i zbulojnë pjesët e turpshme të trupit.

    Edukimi i vajzës mbi vlerën e turpit, është mbrojtës besnik i saj nga sprovat dhe mëkatet shkatërruese. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Turpi, i tëri është hajr dhe nuk vjen vetëm se me hajr”.

    Fjala e mirë, dhe butësia, dhe urtësia janë mjete të rëndësishme në metodën e edukimit. Kur asaj i bashkëngjitet dashuria dhe mëshira e prindërve, e jep rezultatin e vet, dhe frytin e saj në përmisimin e sjelljes. Allahu thotë: “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin”. (Ibrahim: 24-25)

    Vajza ka nevojë për udhëzime dhe këshilla. Zemrat janë të shkujdesura, zgjimi i tyre vjen me këshilla dhe rikujtim dhe rikujtimi i bën dobi besimtarëve. Kujdesu për të që të kapet për dispozitat e fesë në veshje, dhe mbulesë dhe çështjen e përzierjeve mes gjinive.

    Ajo duhet të ushqehet me bazamente dhe botëkuptime të sakta, të cilat i ndihmojnë asaj që ta dallon të mirën nga e keqja, të vërtetën nga e kota dhe të posedojë aftësi t’i zbulon dukuritë e trilluara dhe të gabuara.

    Mungesa e dashurisë dhe mëshirës, mungesa e dialogut të qetë brenda anëtarëve të familjes, e bën vajzën që të kërkon përgjigjen e pyetjeve të saj jashtë rrethit familjar. Kjo e bën të jetë viktimë e lehtë e shoqërisë së keqe. Kjo kërkon ngjalljen e ndejave familjare, dhe dialogut mes prindërve dhe vajzës dhe po ashtu përhapjen e ndjenjave të dashurisë, dhe mëshirës, dhe respektit brenda mureve të shtëpisë.

    Koha e lirë është problem shumë i madh për jetën e vajzës. Plotësimi i kohës së lirë me gjëra të dobishme është mburojë për të, si, leximi i Kur’anit, nxënia e tij përmendësh dhe meditimi i tij, mësimi i dispozitave që kanë të bëjnë me gratë, zgjerimi i diapazonit të kulturës dhe edukatës së dobishme, marrja me aktivitete të dobishme, etj.

    Shoqërimi i nënës nga vajza, e forcon personalitetin e saj, dhe ajo i bëhet udhërrëfyes i saj në jetë, dhe i shton biografisë së saj mësime të dobishme.

    Zgjedhja e shoqes së mirë është çështje e rëndësishme. Shoqëria ka ndikim të madh në sjelljen, dhe ideologjinë dhe kulturën e personalitetit. Shoqet e liga ia dëmtojnë edhe dynjanë dhe ahiretin. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Njeriu është në fenë e shokut të vet. Për këtë arsye secili nga jush se kë e shoqëroni”.

    Problemet mes prindërve, ndarja me burrit dhe gruas, prishja e raporteve mes tyre, e bën që vajza të bëhet e ftohët dhe me sjellje jo të mira.

    Vonimi i martesës është sebep i shumë dëmeve morale, dhe shoqërore dhe shpirtërore. Pengesa e saj nga martesa për qëllime të dynjasë, është krim mbi të dhe mbi shoqërinë. Allahu thotë: “mos i pengoni ato që të martohen përsëri me burrat e tyre”. (El-Bekare 232)

    Rreziku më i madh që i kanoset edukimit të vajzave është prezenca e kanaleve satelitore dhe e rrjeteve sociale në internet nëpër shtëpi. Ato e shkatërrojnë çdo vlerë, dhe e luftojnë fenë dhe mirësinë, dhe nxisin në imoralitet dhe në degjenerim. Largimi nga ato është ajo më e mira, edhe pse ndoshta në to ka ndonjë dobi.

    Vajza muslimane e ditëve të sotme ballafaqohet me armiqtë e fesë në të gjitha sferat. Ata tentojnë që ta largojnë nga ajo turpin dhe nderin, fenë dhe moralin, ngase me shkatërrimin e vajzës muslimane, shkatërrohet edhe gruaja muslimane dhe nëna muslimane, brezat e muslimanëve dhe shoqëritë e muslimanëve.

    Jemi të detyruar të përkujdesemi për to nga çdo armik i saj dhe nga çdo ideologji që e dëmton në fe dhe moral dhe nga ajo kërkohet të mbrohet me gjitha mundësitë që i posedon.

    Gjurmët e lutjes dhe ndikimi i saj janë të mëdha. Prindërit duhet ta shfrytëzojnë këtë armë të fortë, që Allahu fëmijët e tyre t’i ruan dhe përmirëson, dhe kënaqësi të syve të tyre t’i bën. Duaja e prindit për fëmijën e vet është e pranuar. Allahu thotë: “edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”. (El-Furkan: 74)

    Shejh Dr. Abdulbarij Thubejt

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

  • DEDIKUAR TË SPROVUARVE DHE TË PIKËLLUARVE

    DEDIKUAR TË SPROVUARVE DHE TË PIKËLLUARVE

    Allahu krijoi jetën dhe vdekjen, për t’i provuar njerëzit se kush prej tyre do të veprojë më mirë, kurse besimin në caktimin e Allahut e bëri shtyllë prej shtyllave të besimit. Nuk lëviz apo qetësohet asgjë në tokë përveç se me lejen dhe me vullnetin e Allahut dhe çdo krijesë në këtë rruzull tokësor nuk ekziston përveç se me caktimin dhe urdhrin e Tij. Dynjaja është e tejmbushur me brenga e turbullira, vështirësi e fatkeqësi, sprova e pengesa që i përngjajnë të nxehtit dhe të ftohtit dhe të cilave robi i Allahut nuk mundet t’i ik e as t’i shpëton asnjëherë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave”. (El-Bekare: 155) Nëpërmjet sprovave del në shesh i sinqerti dhe rrenacaku: “Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?!” (El-Ankebut: 2), dhe shpirti nuk pastrohet vetëm se me sprovim dhe belat janë ato që i dallojnë burrat. Ibën Xheuzij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ai i cili dëshiron që të ketë shëndet dhe siguri të vazhdueshme pa u sprovuar, ai nuk e ka kuptuar realitetin e vështirësive të jetës dhe realitetin e shëndetit”.

    Patjetër që çdo shpirt t’i shijojë dhembjet e jetës, pa marrë parasysh a besoi apo mohoi. Jeta është e bazuar mbi vështirësi dhe rreziqe dhe njeriu patjetër do të ballafaqohet me to. Besimtari sprovohet që të pastrohet prej mëkateve e jo të dënohet edhe atë në mirësi e vështirësi: Ne i vumë në provë ata me mirësi dhe fatkeqësi, me qëllim që të ktheheshin (në rrugë të drejtë)”. (El-A’raf: 168) Ekziston mundësia që nëpërmjet asaj që e urren të arrijë e mira dhe ekziston mundësia që nëpërmjet asaj që e do të arrijë e keqja, prandaj mos u siguro se nuk do të vjen e keqja prej të mirës dhe mos u dëshpëro se nuk do të vijë e mira prej të keqes. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini”. (El-Bekare: 216)

    Përgatite veten për ardhjen e belave para se të ndodhin, se ato kur të godasin duke qenë i përgatitur, është më lehtë për ty që t’i ballafaqohesh. Mos u dëshpëro dhe mos u zemëro prej sprovave e ta nxjerrësh ndonjë fjalë prej goje se ndoshta ajo fjalë do të jetë shkak i shkatërrimit tënd. Besimtari i sinqertë në momentet më të rënda është i përqendruar dhe i vendosur, zemra e tij nuk ndërrohet e as gjuha e tij nuk ankohet. Lehtësoja vetes fatkeqësitë me rikujtimin e shpërblimit të dynjasë dhe ahiretit që ato t’i përballosh pa u ankuar dhe bën durim në to dhe mos i shfaq haptazi ato për shkak se armiku kur e sheh se fatkeqësitë të kanë kapluar kënaqet fort dhe gëzohet shumë. Fshehja e sprovave dhe belave është prej vetive dhe zakoneve të njerëzve të dalluar dhe duke bërë durim në to ato sa më shpejtë largohen. Qëllimi prej fatkeqësive është që ti të bësh durim vetëm disa ditë të numëruara dhe dije se njerëzit nuk janë shkatërruar vetëm se nga humbja e durimit, kurse durimtarët janë shpërblyer me shpërblimet më të mira: “Ne do t’i shpërblejmë ata që kanë duruar sipas veprave më të mira që kanë bërë”. (En-Nahl: 96) Dhe ato do të jenë të dyfishuara: “Atyre do t’u jepet shpërblim i dyfishtë, për shkak të durimit që kanë treguar”. (El-Kasas: 54) Madje ato do të jenë të dyfishuara pa llogari dhe Allahu do të jetë me ta, kurse lehtësimi dhe fitorja do të jenë të varur nga durimi i tyre.

    O ti i sprovuar, Allahu nuk t’i ka marrë të mirat vetëm se për t’i shtuar ato, nuk të ka sjellë fatkeqësi vetëm se për t’i falur mëkatet dhe nuk të ka vënë në sprovë vetëm se për të bërë prej të zgjedhurve. Njeriu sprovohet me begati dhe begatohet me fatkeqësi, për këtë arsye nëse Allahu prej urtësisë së Tij ta mbyll një rrugë prej rrugëve të Tij dije se me mëshirën e Tij ta hap një rrugë tjetër e cila është shumë më e dobishme për ty. Nëpërmjet fatkeqësive dhe belave njerëzve të mirë u ngritën pozitat dhe u shtohen shpërblimet. Sad ibën Ebi Vekas, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, na përcjell se e kishte pyetur të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, se cilët prej njerëzve më së shumti sprovohen dhe ai u përgjigj se: “Pejgamberët, pastaj njerëzit e mirë, pastaj ata të ngjashëm me ta dhe të ngjashëm me ta (ose njerëzit të cilët janë shembull në këtë.) Njeriu do të sprovohet sipas fesë se tij; nëse në fenë e tij ka fuqi do t’i shtohen sprovat, ndërsa, nëse është i butë në fe, do t’i zvogëlohen edhe sprovat. Kështu, besimtari do të sprovohet pandërprerë deri sa të ec nëpër tokë i pastër nga gjynahet”.

    Rruga e sprovave është vendkalim i rëndë. Ademi, alejhi selam, në të u lodh e u mundua, Ibrahimi, alejhi selam, u hodh në zjarr, kurse të birin e tij Ismailin e shtriu që ta ther për kurban, Junusin, alejhi selam, e gëlltiti peshku, Ejubin, alejhi selam, e goditi sëmundja e varfëria, Jusufi, alejhi selam, u shit për pak të holla, u hodh në bunar e pastaj u mbyll edhe në burg padrejtësisht, Muhamedi, alejhi salatu ue selam, u sprovua me sprova të ndryshme dhe mos harro se edhe ti je duke ecur në këtë rrugë, rrugën e belave dhe sprovave. Disa prej dijetarëve thonë se: “Allahu atë që e ka krijuar për në Xhenet i vijnë fatkeqësitë vazhdimisht”.

    Sprova më e madhe dhe më e rëndë është ajo në fe, kurse sprovat e tjera janë mëshirë dhe falje mëkatesh, nëpërmjet tyre ngritën gradat dhe pastrohen gjynahet. Mos u mërzit për atë që të kaloi prej dynjasë për arsye se ajo do të zëvendësohet madje edhe me më mirë. Preokupohu me atë që të bën dobi dhe dije se po mos të kishte qenë sprova nuk do t’ia dije vlerën rehatisë e sigurisë, shëndetit e mirësisë. Asnjëherë mos u zemëro me caktimin e Allahut dhe mos thuaj se pse unë sprovohen e tjetri nuk sprovohet për shkak se Allahu i zgjedh për t’i sprovuar ata që i do dhe ata që prej mëkateve dëshiron t’i pastrojë. Mos i humb shpresat në Allahun dhe dije se brenga e fundit është fillimi i lehtësimit dhe se pas çdo vështirësie vinë dy lehtësime.

    Jakupi, alejhi selam, kur e humbi Jusufin dhe kjo zgjati një periudhë të gjatë nuk u dëshpërua aspak se do të i vijë lehtësimi e shpëtimi dhe më vonë kur e humbi edhe birin e tjetër nuk i humbi shpresat në Allahun por tha shpresoj se Allahu do të m’i kthejë të gjitha, sepse Ai, në të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Nëse belat shtohen e sprovat rëndohen e ditët vështirësohen dhe ty të gjitha rrugëdaljet të mbyllen, prite natën kur të terrohet dhe njerëzit të flenë dhe ngriti duart e tua kah qielli me frikërespekt dhe shpresë e bindje dhe lutju Fisnikut e Bujarit që brengat t’i largon, problemet t’i lehtëson dhe nëse bindja është e fortë dhe zemra është prezentë në dua atëherë thirrja nuk do të refuzohet prej të madhit Allah: “A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen”. (En-Neml: 62)

    Mbështetu në Allahun që ka mundësi të bën çka të donë dhe drejtoju Atij me zemër të frikësuar që t’i hap të gjitha dyert. Fudajl ibën Ijadi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nëse je i dëshpëruar prej krijesave dhe nuk do prej tyre asgjë drejtoju Allahut se Ai do të jep çdo gjë”. Ibrahimi, alejhi selam, i la Haxheren dhe Ismailin në Meke të vetëm pa ujë pa ushqim dhe Meka në atë kohë ishte e thatë pa burime uji dhe ushqime dhe e urdhëroi familjen e tij ta falin namazin dhe ta japin zeqatin dhe Allahu i furnizoi me ujë dhe ushqim dhe Ismailin e bëri një prej të zgjedhurve të Tij. Junusin, alejhi selam, nuk e harroi kur e thirri nga errësira e barkut të peshkut i penduar dhe tha: “S’ka të adhuruar tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (El-Enbija: 87) Dijetarët thonë se nuk e thotë këtë lutje ndonjë prej të sprovuarve vetëm se Allahu ia largon belat dhe sprovën e tij. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë është vërtetuar se ai që e thotë lutjen e Ejubit, alejhi selam: “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!” (El-Enbija: 83), shtatë herë, Allahu ia largon fatkeqësinë e tij.

    Lidhe shpresën tënde për Allahun drejtoju Atij dhe kërko prej Tij falje e shpëtim, largoju prej lutjeve të njerëzve dhe lutju Krijuesit të njerëzve. Tento që lutjet e tua t’i drejtosh në kohët kur pranohen duatë si në sexhde, pjesën e tretë të natës, mes ezanit e ikametit dhe mos u dëshpëro prej mëshirës së Allahut edhe nëse zgjat belaja se lehtësimi është shumë afër. Adhuroje Allahun me lutje e me durim dhe kërko prej Atij që i hap të gjitha dyert dhe është Fisnik dhe nëse Allahu vendos që të të godasë ndonjë e keqe, askush nuk mund të ta largojë atë, përveç Tij dhe dije se Ai është Vepruesi i gjithçkaje që dëshiron. Zekerija, alejhi selam, kur e arriti pleqërinë e thellë iu dhurua Jahja, i cili u bë Pejgamber i Allahut dhe i dalluari i njerëzve. Ibrahimi, alejhi selam, u përgëzua në pleqëri me fëmijë dhe gruaja e tij tha se si do të lindi unë kur jam sterile dhe jemi pleq, por Allahu vepron atë çka dëshiron.

    Nëse risku të pakësohet shpeshtoje pendimin dhe istigfarin, se mëkatet janë shkak i dënimeve. Nëse e sheh se duatë e tua nuk pranohen ndoshta nuk ke qenë i sinqertë në pendim tënd, për këtë arsye përmirësoje atë dhe drejtohu me dua se nuk ka bujar më të madh dhe më dorëdhënës se sa Allahu, azze ue xhel. Shpeshtoje dhënien e lëmoshës për arsye se lëmosha e largon dhe të mbron prej belasë. Nëse sprovat të largohen dhe belat të pakësohen shpeshtoje falënderimin ndaj Allahut dhe dije se mos falënderimi në kohën e rehatisë dhe sigurisë është prej sprovave më të mëdha.

    Koha nuk mbetet gjithmonë e njëjtë dhe i lumtur është ai që pajiset me devotshmëri. Nëse pasurohet ajo e zbukuron, nëse varfërohet ajo i mjafton dhe nëse sprovohet ajo e dekoron, për këtë arsye pajisu me devotshmëri në çdo gjendje dhe dije se për shkak të saj në vështirësi nuk sheh vetëm se lehtësim, në sëmundje nuk sheh vetëm se shërim dhe në varfëri nuk sheh vetëm se pasurim. Çdo gjë që të godet vjen prej Allahut dhe e jotja mbetet që të pajtohesh me të, të jesh i kënaqur me caktimin Allahut dhe t’i mbështetesh Atij: “Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!”. (Et-Teube: 51)

    Shurejhi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Nuk është sprovuar robi me ndonjë sprovë dhe vetëm se prej saj i ka fituar tri begati: Ajo nuk ka qenë në fenë e tij, nuk ka qenë më e madhe se sprova e mëhershme dhe se ajo është dashur patjetër të ndodhë dhe se ajo edhe më herët ka qenë”.

    E lus Allahun e Madhërishëm që brengat t’i largon, problemet t’i lehtëson, sprovat t’i zëvendëson me diçka më të mirë dhe nëpërmjet saj gradat t’i lartëson në dynja dhe ahiret.

    Shejh Dr. Abdulmuhsin El Kasim

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

  • MË I MIRI PREJ JUSH ËSHTË AI QË E MËSON KUR’ANIN DHE UA MËSON TË TJERËVE

    MË I MIRI PREJ JUSH ËSHTË AI QË E MËSON KUR’ANIN DHE UA MËSON TË TJERËVE

    Kjo temë është një dëshirë e imja që mes një përmbledhje përsiatjesh ta komentoj hadithin që e transmeton Othman b. Afani, radijallahu anhu, prej Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, ku thotë: “ Më i miri prej jush është ai i cili e mëson Kur’anin dhe ua mëson të tjerëve” (Shënon Buhariu), duke kërkuar prej Allahut, azze ue xhel, që t’i bëjë dobi atij që e ka shkruar këtë temë dhe atij që e lexon.

    Përsiatja e parë: Nga hadithi nënkuptohet se dituritë dallohen mes vete në mirësi dhe meritë.

    Përsiatja e dytë: Nga hadithi mësojmë se dituria më e mirë është mësimi i kuptimit të Kur’anit dhe veprimi me atë që e mëson, e jo mësimi i tij përmendësh pa e ditur kuptimin e tij. Thotë Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë: Obligohet të dihet se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ua ka sqaruar shokëve të tij kuptimin e Kur’anit sikurse ua ka sqaruar fjalët e tij, dhe fjala e Allahut, azze ue xhel: “Ty ta zbritëm Kur’anin që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kur’anin)(En-Nahl: 44), i përfshin të dyja kuptimet.

    Ka thënë Abdurrahman Sulemi: Na treguan ata të cilët na e lexonin Kur’anin, si Othman b. Afani dhe Abdullah b. Mesudi e të tjerët, se nuk i kalonin dhjetë ajete çka i mësonin me Pejgamberin, salallahu alejhi ve selem, derisa nuk e mësonin kuptimin e tyre dhe nuk punonin me ato ajete. Dhe thanë: Kështu i mësuam të gjitha së bashku, Kur’anin, kuptimin e tij dhe punën me të.

    Përsiatja e tretë: Nga hadithi mësohet se bamirësia e mësuesit të Kur’anit dhe atij që e mëson nuk është afatshkurtra dhe e përkufizuar me periudha dhe vende, por ajo është e përhershme, e vazhdueshme në çdo vend dhe çdo periudhë. Ajo është mirëbërësi në këtë botë, në varr dhe në ahiret, dhe këtë e vërteton fjala e Pejgamberit, sal-allahu alejhi ve selem: “Le të jetë imam ai i cili di më së miri leximin e Kur’anit.” (Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibën Maxheh)

    Vlera e imamit është e lartë dhe respektuese. Prandaj, më meritor për këtë pozitë është ai i cili e njeh më së miri Kur’anin, për shkak vlerës dhe pozitës së lartë që e ka tek Allahu, azze ue xhel, e jo pasaniku për shkak pasurisë që e posedon, pozitës që sundon apo prejardhjes që e ka.

    Kurse, argument për bamirësin në varr, e kemi atë që ndodhi në luftën e Uhudit. Numri i dëshmorëve ishte i madh, saqë sahabët e kishin vështirë ta varrosin secilin prej tyre në varr të veçantë. Vendosën t’i varrosin nga dy persona në një varr, por para se t’i varrosnin i pyeste Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, shokët e tij, se cili prej tyre dinte më së tepërmi Kur’an. Për atë që i tregonin se ishte më i dituri i jepte përparësi në varr. (Shënon Buhariu)

    Kurse argument për mirëbërësin në ahiret, është fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, ku thotë: “Lexuesit të Kur’anit kur hyn në Xhenet do t’i thuhet: Lexo dhe ngrihu. Fillon të lexojë dhe për çdo ajet të lexuar ngrihet për një shkallë derisa ta mbarojë leximin”. (Ahmedi)

    Me një hadith tjetër transmetohet: “I thuhet lexuesit të Kur’anit : Lexo, ngrihu dhe recito ashtu siç recitove në dynja, se me të vërtet vendbanimi i yt do të jetë aty ku do të përfundosh ajetin e fundit”. (Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu)

    Prandaj, ti o besimtar kujdesu dhe sakrifikohu që ta arrish këtë bamirësi, por para se të gjithash kërko prej Zotit tënd përkrahje dhe palëkundshmëri, se pa dyshim në fund do të dalësh fitimtar.

    Përsiatja e katërt: Nga hadithi mësojmë se përpikëria e vazhdueshme në mësimin e Kur’anit dhe mësimdhënien e tij, kujdesi prej asaj që e njollos dhe e zbeh atë, janë shkaktar për mbijetesën e kësaj bamirësie të madhe.

    Hyrën disa persona tek Kirz b. Vebreh të cilin e gjetën duke qarë dhe duke thënë: Asnjëherë nuk kam hasur probleme në leximin e Kur’anit, por sot nuk mundem të lexoj, e kjo është si pasojë e mëkatit tim, të cilin nuk mundem ta zbuloj se ku e kam bërë.

    Përsiatja e pestë: Hadithi na mëson se prej fryteve të asaj bamirësie është lehtësimi i nxjerrjes të argumenteve dhe dëshmive prej ajeteve të Kur’anit. Thotë Ebu Abdullah b. Bishr el Katani: Nuk kam parë njeri që më së miri i nxirrte argumentet prej Kur’anit se Ebi Sehl b. Zijad.

    Ishte fqinji ynë. Tërë natën e kalonte në namaz dhe lexim të Kur’anit, saqë për shkak leximit të tepërt të Kur’anit, kur fliste i nxirrte argumentet sikur ta kishte Kur’anin para tij të hapur.

    Përsiatja e gjashtë: Prej fryteve të asaj bamirësie po ashtu është edhe bekimi në marrjen e diturisë. Porositi dijetari i fikut Ibrahim b. Abdulvahid el Makdesi Abas b. Abdudajmin, duke i thënë: Lexo së tepërmi Kur’an dhe mos e neglizho, se Kur’ani ta lehtëson atë që e kërkon, aq sa ti atë e lexon. Pastaj i tha: E kam vërejtur dhe provuar shumë herë, se kur e lexoja shumë Kur’anin, më lehtësohej të dëgjoj dhe shkruaj sa më shumë hadithe të Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, kurse kur e neglizhoja ndodhte e kundërta.

    Përsiatja e shtatë: Nga hadithi mësojmë se paraqitja e gjurmëve të shëmbëlltyrës në mësuesin e Kur’anit, aludon në fitimin e asaj bamirësie.

    I përshkruante imam Dhehebiu Allahu e mëshiroftë, disa prej lexuesve të i cilët i kishte takuar në kohën e tij, prej tyre:

    – Ibrahim b. Felah, ishte njeri i devotshëm, i mirë, i respektuar dhe i nderuar, kishte pamje të bukur, e njihte mirë hadithin e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, kishte merita të shumta, ishte i njohur me drejtësi dhe me fenë e tij.

    -Jahja b. Ahmed, ishte njohës i leximeve të Kur’anit, besimtar i mirë, ishte shumë i qetë, modest dhe turpërohej shumë.

    -Ahmed b. Mu’min, ishte prej dijetarëve më të dalluar në besim dhe modesti, në merita dhe njohje të leximeve të Kur’anit (kiraete).

    Përsiatja e tetë: Fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem: “E ka mësuar Kur’anin dhe ua ka mësuar të tjerëve”, në vete përmban durim dhe përqendrim për mësuesin dhe atij që e mëson Kur’anin. Kjo është prej gjërave që kërkon mund e sakrificë shpirtërore, ku si rezultat i kësaj sakrifice vjen edhe fitorja.

    “E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e bamirësve.” (El-Ankebut: 69)

    I biri i Omerit, Abdullahu, Allahu i mëshiroftë, qëndroi disa vite vetëm në leximin e sures Bekare.

    Tha Ebu Bekr b. Ajash: Lexoja Kur’anin tek Asim b. Ebi Nuxhudi dhe më urdhëronte t’i lexoja atij çdo ditë vetëm nga një ajet. Më tha se kjo është më e përshtatshme për ty. Frikohesha se do të vdes hoxha i im dhe nuk do të mund ta mbaroj Kur’anin, prandaj kërkoja prej tij që të lexoj më tepër, që në fund të pranoj që t’i lexoj atij vetëm nga pesë ajete.

    Kjo dallon sipas asaj që e sheh mësuesi, se çka është më e dobishme për nxënësin e tij. Allahu i mëshiroftë të parët tanë për ambiciet e tyre të mëdha që i kishin për mësimin e librit të Allahut.

    Prej ambiciozëve në mësimin e Kur’anit vlen të përmendet biografia e Muhamed b. Ahmed el Mukrij, i cili qëndroi një kohë të gjatë duke i mësuar ata çka nuk dinin leximin e Kur’anit. Shumë njerëz e mbaruan leximin tek ai duke vazhduar kështu shumë vite me radhë.

    Tha el Kadi Ebu el Hasen: Ishte mësues mbi gjashtëdhjetë vite dhe mësoi shumë njerëz.

    Prej rrëfimeve të këndshme që rrëfehet për ambicie, durim dhe përqendrim në kërkimin e diturisë, vlen të përmendet atë që e cek Imam Dhehebiu në biografin e Sulejm ibën Ejubit, ku thotë:

    “Tha Sehl b. Bishr: Na tregoi Sulejmi se në fëmijërinë e tij kur ishte afro dhjet vjetësh, jetonte në një vend të quajtur R’aj. Një ditë prej ditëve në atë qytet erdhën disa dijetarë, e Sulejmi ishte në xhami duke lexuar Kur’an. Iu afrua njëri prej tyre dhe i tha: Afrohu dhe lexo. Rrëfen Sulejmi dhe thotë: Tentova të lexoj, por në atë moment mu lidh gjuha dhe nuk munda fare të lexoj. Më tha: A ke nënë? I thashë: Po. Tha: Thuaj asaj që të bëjë dua për ty, që Allahu, azze ue xhel, të furnizoj me lexim të Kur’anit dhe me dituri. I thashë se do t’i them, e pastaj u ktheva në shtëpi dhe kërkova prej saj që të bëjë dua për mua. Nëna ime e pranoi kërkesën time dhe bëri dua për mua. Unë pasi që u rrita, e mora rrugën për në Bagdad që të kërkoj dituri, dhe atje e mësova gjuhën arabe dhe fikhun, e pastaj u ktheva në vendlindje.

    Një ditë prej ditëve isha në xhami duke e komentuar “Muhtesar el Mizni” (libër i fikhut shafij) erdhi i njëjti dijetar që më tha të kthehem te nëna ime dhe ajo të bëj dua për mua. Na përshëndeti dhe u ul në ndejën tonë, por mua nuk më njihte fare. Dëgjonte duke e komentuar librin, por shihej qartë se nuk kuptonte fare nga ajo çka komentonim. Pastaj, tha i habitur: Kur mësohet ajo që ju e komentoni? Dëshirova ti them: Si të kesh nënë, kthehu tek ajo dhe thuaj që të bën dua për ty, por u turpërova.

    Përsiatja e nëntë: Nga hadithi nënkuptohet se në ato vende ku mësohet Kur’ani ka mirësi të shumta dhe argument për saktësinë e asaj çka e thamë është fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, i cili thotë: “Ata njerëz që tubohen në shtëpinë e Allahut (xhami), që të lexojnë Librin e Allahut dhe ta studiojnë në mes vete, do t’ju vijë atyre paqja (qetësia) e plotë e Allahut dhe do t’i mbulojë mëshira e Tij dhe melaqet do të kujdesen për sigurimin e tyre e Allahu do t’i lavdërojë tek ata që i ka pranë”. (Ebu Davudi)

    Përsiatja e dhjetë: Nga hadithi mësojmë se mësimi i Kur’anit dhe mësimdhënia e tij bëhet në xhami. Të parët tanë e kanë praktikuar këtë metodë dhe e kanë përcjellë brez pas brezi, në çdo kohë dhe vend deri në ditët e sotme.

    Thotë Suvejd b. Abdulaziz: Ebu Derda pasi që e falte namazin e drekës në xhamin e Damaskut, i afroheshin njerëzit që t’i lexojnë. Formonte grupe të përbëra prej dhjetë personave dhe çdo grup kishte përgjegjësinë e vetë që i kontrollon. Në rast se gabonte ndonjëri prej grupit drejtoheshin tek përgjegjësi i grupit që ta përmirësoj, kurse në rast se gabonte përgjegjësi i grupit, kthehej tek Ebu Derda që ta përmirësoj. Thotë Suvejdi se ibën Amir ishte përgjegjës i njërit prej grupeve, dhe se ai e zëvendësoi Ebu Derdan pas vdekjes së tij.

    Thotë Sam b. Mishkem: Më urdhëroj Ebu Derda që t’i numëroj se sa persona prezantojnë tek ai në xhami. Numri i atyre që i numërove ishte njëmijë e gjashtëqind persona dhe çdo dhjetë prej tyre kishin nga një përgjegjës.

    Ebu Derda ishte përgjegjësi kryesor i të gjithëve, dhe kur njëri prej tyre e zotëronte leximin u transferonte tek Ebu Derda Allahu qoftë i kënaqur me të.

    Në fund e lus Allahun, azze ue xhel, të na mësojë atë që na sjell dobi dhe të na sjell dobi në atë çka na mësoj dhe të na shtojë diturinë.

    Amin

    Abdulaziz b. Muhamed b. Abdullah Sed’han

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • VESVESET E SHEJTANIT DHE MBROJTJA PREJ TIJ

    VESVESET E SHEJTANIT DHE MBROJTJA PREJ TIJ

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kur dëshiron të lexosh Kur’anin, kërko mbrojtjen e Allahut kundër djallit të mallkuar, sepse, në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre. Pushteti i djallit është vetëm mbi ata, që i binden atij dhe adhurojnë zota të tjerë veç Allahut”. (En-Nahl: 98-100)

    Allahu njeriut ia krijoi një armik i cili ushqen armiqësi të egër ndaj birit të Ademit. Ky armik ec nëpër trupin e birit të Ademit sikur se gjaku dhe ka ndikim të madh dhe shumë hyrje deri tek zemra dhe gjoksi i njeriut. Ky armik është shejtani, të cilin Allahu e ngarkoi me një detyrë që ta shoqërojë të birin e Ademit prej lindjes e deri në vdekje. Shejtani njeriut tanë kohën i bën vesvese, kurthe, mëkatin ia zbukuron dhe parafytyron në mendjen e tij derisa kjo ngjall pasion, pastaj pasioni ngjall ide, ideja ngjall epsh, epshi ngjall dëshirë, dëshirë kjo e cila ia bën të harron dëmin dhe dënimin e mëkatit, para syve nuk sheh tjetër vetëm se mëkatin dhe kënaqësinë e tij, derisa shndërrohet në vendosmëri të pakundërshtueshme. I biri i Ademit atëherë e dërgon ushtrinë e tij në kërkim të mëkatit, ndërsa shejtani i dërgon ndihmë dhe mbështetje. Në rast se ushtria demoralizohet shejtani i jep kurajë të vazhdon, në rast se vonohet e nuk ngutet shejtani e nxit dhe i jep përkrahje, derisa e drejton robin ka mëkati duke ia organizuar takimin me të nëpërmjet hileve të zbukuruara dhe kurtheve të përsosura. Urvetu ibën Ruvejm, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Isa, alejhi selam, kërkoi prej Zotit të tij t’ia tregojë vendin e shejtanit në trupin e birit të Ademit. Kur iu paraqit vendqëndrimi i tij, e pa se kokën e kishte të gjarprit të vendosur mbi thelbin e zemrës, në rast se robi e përmendte Zotin e tij shejtani u fshehte, në rast se nuk e përmendte e vendonte kokën mbi thelbin e zemrës së robit, i fliste dhe i nxiste dëshira”.

    Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Ali ibën Husejnit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tregon se Safija, bashkëshortja e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, i ka treguar atij se ajo ka shkuar për të vizituar të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, në xhami, kur ai ka qenë në Itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Ajo foli pak me të, pastaj u ngrit të kthehet në shtëpi. Edhe Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u ngrit dhe e shoqëroi atë deri te porta e xhamisë përballë derës së Umu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, kur dy burra nga ensarët kaluan andej dhe e përshëndetën të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam. Ai u foli: “Ngadalë! (Mos u nxitoni!) Ajo është (bashkëshortja ime), Safija bint Hujej!” Ata të dy thanë: “Subhanallah (Lavdi i qoftë Allahut! Si mund të guxojmë të mendojmë ndonjë ligësi), o i Dërguari i Allahut!” Ata e ndjenë këtë (dhe sikur u rënduan). Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u tha: “Shejtani shkon në çdo pjesë të trupit të njeriut ashtu si gjaku. Pata frikë se mos shejtani do t’ju shtie ndonjë mendim të lig në zemrat (e mendjet) tuaja.”

    Po ashtu imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, e përcjell një hadith prej Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tregon se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur thirret ezani për namaz, shejtani ia mbath me të katra dhe nxjerr erë me zë, që të mos e dëgjojë ezanin. Kur mbaron thirrja e ezanit, ai kthehet prapë, por përsëri ia mbath të ikë kur thirret ikameti, por kur ai mbaron, ai përsëri vjen derisa pëshpërit në zemrën e njeriut (për t’ia hequr vëmendjen nga namazi) duke e bërë atë të kujtojë gjëra të cilat ai as nuk i kishte ndërmend përpara namazit duke i thënë: “Kujto këtë, kujto atë”, derisa njeriu vazhdon të falet duke e bërë të harrojë sa rekat namaz ka falur”.

    Prandaj Allahu na urdhëroi të kërkojmë mbrojtje prej sherrit të shejtanit, ndërsa vesveset janë prej sherrit më të madh të tij.

    Prej sherrit të tij po ashtu është vjedhja e pasurisë së njerëzve. Çdo ushqim ose pije ku në të nuk përmendet emri i Allahut shejtani e ka privilegjin që të vjedh hise prej tij. Në shtëpinë ku nuk përmendet emri i Allahut shejtani e ha ushqimin e njerëzve pa lejen e tyre dhe strehohet në shtëpi pa lejen e tyre. Ibën Ebi Dunja, Allahu e mëshiroftë, transmeton prej selefit se: “Një shejtan e kishte takuar një shejtan tjetër të cilit i thotë: Më dukesh shumë i dobët? I përgjigjet: Unë e shoqëroj një njeri tanë kohën i cili kur ha e përmend emrin e Allahut dhe unë nuk ha me të, kur pi e përmend emrin e Allahut dhe unë nuk pi me të, kur hy në shtëpi e përmend Allahun dhe unë rri jashtë, nuk mundem të hy në atë shtëpi. I thotë shejtani tjetër: Unë e shoqëroj një njeri i cili kur ha nuk e përmend emrin e Allahut dhe unë ha së bashku me të, kur pi nuk e përmend emrin e Allahut dhe unë pi së bashku me të, kur hy në shtëpi nuk e përmend emrin e Allahut dhe unë hy së bashku me të, kur bën marrëdhënie me gruan e tij nuk e përmend emrin e Allahut dhe unë bëj marrëdhënie me gruan e tij”.

    Prej sherrit të tij po ashtu është se i shpalos të metat e njerëzve. E urdhëron robin të bën mëkat, pastaj u bën vesvese të tjerëve për mëkatin që e ka vepruar ky rob dhe në fund ata fillojnë të flasin për të dhe për mëkatin e tij.

    Prej sherrit të tij po ashtu është se kur robi fle shejtani i lidh në kokë nyje të cilat e pengojnë të zgjohet për namaz. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Gjatë gjumit tuaj, shejtani i lidh gjithkujt tri nyje pas koke dhe i fryn çdo nyjës duke thënë: “Ke natë të gjatë, fli pra”. Kur ky njeri zgjohet dhe kujton Allahun, atëherë zgjidhet një nyje, në qoftë se merr avdes, zgjidhet edhe një nyje, në qoftë se falet, zgjidhet edhe nyja e fundit dhe ngrihet i gjallë dhe në gjendje të mirë shpirtërore; kurse në të kundërt, ngrihet në gjendje të keqe shpirtërore dhe i plogësht”.

    Prej sherrit të tij po ashtu është se urinon në veshin e robit që të mos e dëgjojë ezanin dhe të flejë deri në mëngjes. Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, i përmendën një burrë dhe i thanë se ka fjetur deri në mëngjes vonë dhe nuk e ka falur namazin e agimit. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tha: “Në veshin e tij ka urinuar shejtani”.

    Prej sherrit të tij po ashtu është se i del të birit të Ademit përpara çdo rrugë të hairit dhe e pengon që të ecë nëpër të duke i vendosur pengesa dhe ndalesa të ndryshme që i ka në dispozicion. Mjafton prej sherrit të tij ajo që u betua në Allahun se do t’u zë pritë njerëzve në rrugën e Allahut, e do t’u qaset atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta. Sherri i tij arriti në atë gradë sa që e nxori Ademin, alejhi selam, prej Xhenetit dhe nuk u kënaq me kaq, por vazhdoi derisa e bëri kusht që prej njëmijë bijve të Ademit nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë do t’i hedh në Xhehenem. Edhe kjo nuk i mjaftoi derisa filloi të bëj kurthe e ta shkatërrojë thirrjen në fenë e Allahut në tokë duke synuar që ky të adhurohet përveç Allahut. Dëshira e tij më e madhe është që më tërë fuqinë e tij ta fikë dritën e Allahut dhe thirrjen në të, të thirr në shirk dhe ta fshijë teuhidin dhe të gjithë ata që thirrin në të.

    Nuk mundemi që llojet e sherrit të tij t’i përkufizojmë duke e pasur parasysh se ai është shkak i të gjithë sherreve në botë, mirëpo themelet e çdo sherri të tij janë gjashtë ku i biri i Ademit mund të bie viktimë e njërës ose më tepër prej tyre.

    Sherri i parë është sherri i kufrit dhe shirkut dhe armiqësisë ndaj Allahut dhe Pejgamberit, alejhi salatu ue selem. Shejtani mundohet njeriun ta bëjë mosbesimtar ose politeist, e nëse e arrin këtë e bën prej ushtarëve të tij dhe miqve të tij dhe prej thirrësve të Iblisit, e nëse nuk mund të arrijë këtë, kalon në fazën e dytë. Kjo është faza e risive (bidateve). Ai e mashtron njeriun duke e nxitur të shpikë dhe praktikojë bidate. Kjo është më e dashur tek ai se sa mëkatet dhe gjynahet, për shkak se kjo ia dëmton fenë dhe është vepër e vazhdueshme në të cilën vepruesi i saj mendon se vepron mirë dhe nuk pendohet prej saj, e në fakt kjo është mëkat dhe hapje e derës së kufrit dhe shirkut. Nëse arrin ta mashtrojë dhe ta bëjë prej pasuesve të risive atëherë e bën ushtar dhe shok të vetin, e nëse ky njeri edhe më tej është i përqendruar dhe është nga pasuesit e Sunetit, shejtani fillon fazën e tretë. Faza e tretë është faza e mëkateve të mëdha dhe mos dëgjueshmërisë. Shejtani është shumë i kujdesshëm që njeriun ta nxitë në veprimin e mëkateve të mëdha, posaçërisht nëse është prej dijetarëve të cilin e pasojnë njerëzit që kjo të ndikon në largimin e njerëzve prej tij, ose ta nxitë në përhapjen e mëkateve në shoqëri duke i bindur disa se kjo është rruga e drejtë dhe rruga që i afron tek Allahu, e në fakt kjo është rruga e Iblisit të mallkuar: “Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën”. (En-Nur: 19) Nëse nga kjo Allahu e mbron këtë njeri, shejtani edhe më tej nuk i humb shpresat. Kalon në fazën e katërt e cila është faza e mëkateve të vogla, të cilat nëse veprohen me të madhe dhe shtohen mund ta shkatërrojnë njeriun. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Keni shumë kujdes nga mëkatet që ju duken si të pavlera. Shembulli i mëkateve që ju duken të pavlera është si shembulli i një grupi njerëzve që kanë ndaluar në një luginë. Secili prej tyre mbledh degë pemësh derisa ato janë të mjaftueshme që të pjekin ushqimin e tyre. Po kështu janë edhe mëkatet që duken si të pavlera që kur mëkatari nuk i jep shumë rëndësi, ato e shkatërrojnë atë”.

    Nëse edhe nga këto mëkate do të shpëtojë (d.m.th. nëse ka kujdes që të mos bëjë mëkate të vogla, por edhe nëse i bën, shpejton në kërkimin e faljes ose përgjithmonë e lë këtë mëkat), atëherë shejtani fillon me metodë të re e cila është edhe faza e pestë. Kjo është që shejtani e preokupon njeriun me gjëra të lejuara (mubah) për të cilat nuk ka as shpërblim e as dënim, mirëpo njeriun gjithmonë e pengon që të preokupohet me punë serioze. Nëse nuk mund ta përfitojë edhe në këtë fazë kalon në fazën e gjashtë. Kjo fazë përfshin gjendjen kur njeriu duke bërë punë të mirë e lë pas dore punën që është edhe më e mirë se kjo. Duke bërë mirë e lë atë punë që është shumë më e mirë. P.sh. duke vepruar sunetet i lë farzet, preokupohet me sunete e nuk i kryen farzet.

    Shejtani kur nuk mundet të mbisundon mbi robin në të gjitha këto faza atëherë e përdor tërë ushtrinë e tij prej njerëzve dhe xhindeve duke e sulmuar të birin e Ademit me vesvese, kurthe, risi, devijime, degjenerime, etj., me qëllim që ta fikë dritën e Allahut dhe rrugën deri tek ajo. Besimtari në këtë rast e vendon parzmoren e luftës dhe nuk e largon prej tij deri në vdekje.

    O muslimanë, frikojuni Allahut dhe bëhuni të kujdesshëm prej armikut të Allahut dhe armikut të juaj. Dijeni se ata që i bëjnë vesvese njeriut janë dy llojesh: Njerëz dhe xhinde. Xhindet bëjnë vesvese në gjoksin e njeriut dhe po ashtu njerëzit bëjnë vesvese tek njeriu. Prandaj Allahu na urdhëroi që të kërkojmë mbrojtje prej sherreve të dy llojeve të shejtanëve, njerëzve dhe xhindeve.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve, Sundimtari i njerëzve, i Adhuruari (i vetëm me të drejtë) i njerëzve, nga sherri i djallit cytës që fshihet (pasi cyt) e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve, (qoftë ai djall) prej xhindeve apo njerëzve!”. (En-Nas: 1-6)

    Allahu besimtarëve i dha përkrahje nëpërmjet ushtarëve të Tij prej melekëve të cilët e shoqërojnë të birin e Ademit tanë kohën, e përforcojnë, e mbrojnë me lejen e Allahut dhe e urdhërojnë për të mirë. Po ashtu ia dha mendjen të logjikojë, besimin t’i ndihmojë dhe përforcojë, bindjen t’i zbulojë të vërtetat dhe këtë sprovë me shejtanin nuk e bëri për shkak se njeriun e urren, por për shkak se atë e do dhe e ndihmon dhe dëshiron që t’ia ngrit gradat e tij dhe t’ia sprovojë sinqeritetin e besimit të tij: “Ne do t’ju vëmë në provë ju, derisa t’i njohim ata midis jush, që luftojnë (në rrugën e drejtë) dhe durojnë, e derisa të provojmë ato që thuhen për veprat tuaja”. (Muhamed: 31)

    O muslimanë, Allahu prej mirësisë së Tij ndaj robit i bëri disa shkaqe të cilat e mbrojnë robin prej shejtanit dhe i ndihmojnë atij që nëpërmjet këtyre shkaqeve ta largojë shejtanin prej vetes. Në vazhdim do t’i përmendi dhjetë prej tyre:

    1. Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu prej shejtanit të mallkuar. (Duke thënë Eudhu bil-lahi mine shejtani rraxhim).
    2. Leximi i dy sureve: el Felek dhe Nas.
    3. Leximi i Ajetul Kursi (Bekare 255).
    4. Leximi i sures Bekare.
    5. Leximi i dy ajeteve të fundit prej sures Bekare (ajetet 285-286).
    6. Leximi i tre ajeteve të para të sures Gafir.
    7. Thënia njëqind herë në ditë: “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul Hamdu ve Huve ala kul-li shej’in Kadir”. (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).
    8. Përmendje e shpeshtë e Allahut, e sidomos thënia e dhikrit të mëngjesit dhe mbrëmjes.
    9. Marrja e abdesit dhe falja e namazit.
    10. Largimi prej shikimit të ndalur, largimi prej bisedave të kota, largimi prej përzierjes me njerëz mëkatarë e të shëmtuar dhe largimi prej vendeve ku qarkullojnë shejtanët, si tregjet, etj.

    Shejh Muhamed ibën Abdurrahman ibën Kasim

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • RRUGA E UDHËZIMIT

    RRUGA E UDHËZIMIT

    Allahu i dhuroi robërve të Tij shumë begati, e ndër begatitë më madhështore, është begatia e udhëzimit në këtë fe! Me meritat e Tij u udhëzuan të udhëzuarit, dhe me drejtësinë e Tij devijuan të devijuarit. Allahu thotë: “Disa Ai i ka udhëzuar në rrugë të drejtë, kurse disa të tjerë e kanë merituar humbjen”. (El-A’raf: 30)

    Udhëzimi është dhuratë nga Bujari, dhe nuk i dhurohet çdokujt! Ky udhëzim, nuk realizohet me shpresa dhe me dëshira. Ka mundësi të mos arrish deri në udhëzim edhe me prezencën e sebepeve: “përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim”. (El-Huxhurat: 17)

    S’ka shpëtim nga ndëshkimi, dhe s’ka mundësi të arrihet deri tek lumturia, vetëm se nëpërmjet udhëzimit. Udhëzimi është begatia më madhështore e Allahut, dhe për këtë arsye robi detyrohet të jetë falënderues. Allahu i Madhëruar thotë: “Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur!”. (El-Bekare: 198)

    Të kërkuarit e përqendrimit në të, është nga lutjet më të veçanta të njerëzve të mirë: (Ata thonë:) “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!”. (Ali Imran: 8)

    S’ka rrugë e cila të çon në Xhenet, përveç se rrugës së udhëzimit: “dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu”. (El-A’raf: 43)

    Koka e lutjeve dhe më e mira ndër to, është lutja për udhëzim. Ajo lutje e përfshin përmirësimin e robit në fe, në dynja dhe në ahiret. Për këtë arsye, muslimani u urdhërua ta lute Zotin e vet në çdo namaz, që t’i dhurojë udhëzim!

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Duaja më e dobishme dhe më madhështore dhe më gjykuese, është duaja e sures Fatiha: “Udhëzona në rrugën e drejtë!”. (El-Fatiha 6); ngase robi për udhëzimin është më nevojtar, se sa për ushqimin dhe pijen”.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i urdhëronte shokët e tij të luten për udhëzim. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i ka thënë: “Thuaj, o Zot, më udhëzo dhe më drejto”.

    Muaviju, Allahu qoftë i kënaqur me të, e përcjell se atij i kishte pas thënë: “O Zot! Bëje atë të udhëzuar dhe udhëzo me të”.

    Nga lutjet e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte: “O Zot! Më udhëzo dhe më lehtëso udhëzimin mua”.

    Për hir të vlerës së madhe të udhëzimit, asnjë popullit s’i ka munguar udhërrëfyes, as paralajmërues dhe as thirrës në të. Allahu thotë: “Në të vërtetë, ti je vetëm paralajmërues. E, për çdo popull ka udhërrëfyes”. (Er-Ra’d: 7)

    Hapja e zemrave të njerëzve është në dorën e Allahut, dhe krijesat nuk posedojnë asgjë, përveç se marrjes së sebepeve: “Thuaju: “Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi. Ai udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë”. (El-Bekare: 142); “Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë”. (El-Kasas: 56)

    Shoku i mirë dhe fetar është përkrahja më e mirë për udhëzim. Ai të rikujton kur harron, të ndihmon kur neglizhon, nga ai nuk dëgjon vetëm se fjalë të bukura dhe nuk sheh vetëm se vepër të mirë. Shoqëria e mirë, është adhurim që e përcjellë kënaqësi dhe shoqëri dhe të shtohet imani dhe sjellja. Realiteti i saj, është se ajo, është një trup me shumë zemra. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Besimtarët janë si një njeri”.

    Shoku ka ndikim në fenë, sjelljen dhe moralin e atij që e shoqëron. Njeriu njihet sipas shoqërisë së tij. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, le të shikojë secili prej jush se këndë po e shoqëron”.

    Shoku i keq të thërret në largim nga adhurimi dhe t’i zbukuron të ligat, është afër teje në rehati, kurse larg teje në vështirësi. Dëmi i tij është i llojllojshëm dhe vjen në forma të ndryshme. Islami paralajmëroi nga shoqërimi i tyre dhe ulja me ta. Shoku i keq dhe shoqërimi i tij, janë humbje në dynja dhe pendim në ahiret. Allahu thotë: “Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kur’ani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës”. (El-Furkan: 27-29)

    Prezenca nëpër mexhliset e ulemave është nga sebepet e udhëzimit. Në diturinë e tyre dhe mësimin e tyre, ka shtim të imanit. Në fytyrat e tyre ka shenja të devotshmërisë. Ndeja me ta t’i rikujton të parët e këtij Umeti dhe ta rikujton ahiretin. Ndeja me ta jep shumë mirësi dhe begati, për këtë arsye, bëhu më i afërmi i tyre dhe shoqëroi ata. Mejmun ibën Mehran, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Përmirësimin e zemrës sime, e gjeta në ndejën me ulema!”.

    Pastrimi i zemrës nga të ligat dhe ruajtja e saj nga çdo që e fëlliqur, nga dyshimet dhe epshet, është nga shkaqet e udhëzimit. Dyshimi kur hy në zemër, atëherë, ajo e bën të vështirë lidhjen e robit me Allahun.

    Shikimi dhe dëgjimi i haramit dhe i gjërave të ndaluara nëpër media dhe jashtë tyre, e errëson zemrën nga mëkatet e shumta. Kush ballafaqohet me dyshime dhe epshe, e pastaj kërkon udhëzimin, e ka të vështirë ta gjejë atë. Në kohën kur zbriste shpallja dhe sahabët e shoqëronin të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, frikohej për ta nga fitnet dhe ua ndalonte t’i afrohej atyre.

    Shpirti është lakmues nëse shkon pas lakmive dhe ndalet nëse e privon nga to. Prandaj, frenoje atë me frenat e urdhëresave dhe të ndalesave. Largoju nga shkaqet e fitneve dhe burimeve të saj, ngase afrimi i tyre është sprovë, nga e cila njeriu që bie në të, është shumë rëndë të shpëtojë.

    Mbisundimi i epsheve është kurorë, mbrojtja nga dyshimet e ngrit shpirtin, mbrojtja e gjymtyrëve nga gjynahet është përqendrim për në udhëzim, me lejen e Allahut. Nënshtrimi ndaj epshit, dhe ndaj pasioneve dhe ndaj dëfrimeve, janë nga hyrjet e shejtanit. I lumtur është ai që garon pas të mirave dhe e pengon shpirtin nga ajo që i bën dëm, e nuk i bën dobi, dhe punon sipas porosisë së të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ku thotë: “Përfito nga çdo gjë që të bën dobi. Mbështetju Zotit dhe mos u trego asnjëherë i paaftë dhe dështak”.

    Kalimi i kohës duke i respektuar prindërit, duke e vizituar farefisin dhe duke i ndihmuar muslimanëve, është adhurim.

    Gjynahet, gjynahqarin e çojnë në shkatërrim. Adhurimi i tepërt është një nga faktorët e përqendrimit në fe dhe nga shkaqet e ruajtjes së Allahut të robit të Tij. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Ruaje Allahun, Allahu do të ruajë ty!”.

    Njerëzit më të mirë, ata ishin shëmbëlltyrë në adhurim. Allahu i Madhëruar për Ibrahimin, alejhi selam, thotë: “Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor (me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut, me besim monoteist dhe nuk ka qenë nga idhujtarët”. (En-Nahl: 120)

    Të parët e këtij Umeti e adhuronin Allahun tepër. Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, për ibën Kajimin, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk njoh nga dijetarët e kohës sime, si ai në adhurime. E kishte një metodë të veten në namaz. Atë e zgjaste shumë, e zgjaste rukunë dhe sexhden, dhe nganjëherë e kritikonin shokët e tij për këtë, mirëpo, ai nuk kthehej nga metoda e të falurit të namazit të tij”.

    Kur’ani është feneri i udhëzimit dhe i përmirësimit: “Në të vërtetë, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh”. (El-Isra: 9) Leximi i vazhdueshëm i tij është ruajtje, me lejen e Allahut, nga sherret e fitnet dhe mbrojtje nga dyshimet dhe epshet.

    Vizita e varrezave për rikujtim dhe mësim, është një Sunet i bazuar për ta rikujtuar ahiretin, dhe të ndihmojë në përqendrim në çështjet e dynjasë, të largojë nga mëkatet dhe nga shpresat e gjata. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Vizitoni varrezat, ngase vizita e tyre ta rikujton ahiretin”. Kush e rikujton vdekjen shpesh, do të përmirësohen gjendjet e tij.

    Zemrat janë mes dy gishtave të Gjithëmëshirshmit, i rrotullon ato si të donë. S’ka gjë, më të dobishme dhe më të mirë, se sa duaja për të arritur deri te ajo që e do. Për këtë arsye, përulu para Zotit tënd, gjatë ditës dhe natës, që Ai të bën nga robërit e Tij të mirë.

    Nëse e sheh se shumica e njerëzve në tokë janë gjynahqar, mos të të mashtrojë ky fakt e të largohesh nga kjo fe. Tradita e Allahut në tokë, është që gjynahqarët të jenë më shumë se ata që e adhurojnë Allahun. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, shumë njerëz janë të pabindur”. (El-Maide: 49)

    Ti shiko të vërtetën e jo numrin. Allahu e përshkroi Ibrahimin, alejhi selam, se është umet edhe pse ishte një, i vetëm: “Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor (me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut”. (En-Nahl: 120)

    Fudajl ibën Ijadi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Mos u largo nga e vërteta për shkak numrit të vogël që e pasojnë dhe mos e paso të kotën për shkak të shumicës që pas i shkojnë”.

    Begatia e Allahut mbi ty, me përmirësim dhe udhëzim, duke e ditur se shumica e njerëzve janë në devijim, të shtojë në vetvete udhëzimin dhe të nxit në thirrjen e të tjerëve në rrugë të drejtë.

    Tradita e Allahut në këtë jetë është të sprovohet ai që kapet për këtë fe, me qëllim që të përforcohet i sinqerti në fe. Allahu thotë: “Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë”. (El-Ankebut: 3)

    Jobesimtarët talleshin me pejgamberët e Allahut. Allahu tha: “Me të vërtetë, janë përqeshur shumë të dërguar para teje, por ata që përqeshnin i përfshiu ajo me të cilën ata talleshin”. (El-En’am: 10) Çdo i dërguar që dërgohej, akuzohej me magji dhe me çmenduri: “Kështu, sa herë që një i dërguar vinte te popujt para tyre (mekasve), ata thoshin: “Është magjistar” ose “Është i çmendur!”. (Edh-Dharijat: 52) Shokët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, përqesheshin nga hipokritët: “duke ia shkelur syrin njëri-tjetrit, sa herë që ata kalonin pranë tyre”. (El-Mutafifin: 30)

    Ai që tallet me përqendrimin tënd, ta rrit vlerën dhe t’i shton meritat. U gjuajtën me akuza të ndryshme dhe me shpifje njerëzit më të mirë. Kjo është përgëzim i sinqertë i përqendrimit në fe. Mos u pikëllo, ngase ajo që e nxit përqeshësin është pasimi i epshit dhe injoranca: “Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi”. (En-Neml: 14)

    Përqeshësi në thellësi të shpirtit shpreson udhëzim, por atë nuk e posedon. Allahu thotë: “Do të vijë dita (e Kiametit), kur mohuesit do të dëshirojnë që të ishin muslimanë”. (El-Hixhr: 2)

    Nëse tallen me ty, rikujtoje talljen që iu bë të dërguarve dhe sabrin e tyre dhe mos i shkatërro veprat e tua me zemërim apo hidhërim, kapu për faljen dhe mëshirën dhe neglizhoi ata që tallen me ty. Allahu thotë: “Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur”. (El-Ahkaf: 35)

    I suksesshëm është ai që e kërkon dritën e udhëzimit dhe mëkatarin e thërret në pendim dhe i hap krahët e tij për atë që është sprovuar me gjynahe, duke e thirr me urtësi, butësi dhe dituri.

    Krijesat më të lumtura në të dyja botët janë ata të udhëzuarit. Atyre u jepet furnizimi, lumturia, ndihmohen nga ana e Allahut në adhurime dhe nuk mund t’i godet asnjë sherr në dynja dhe ahiret.

    Ai që kapet për dritën e udhëzimit, Allahu ia shton dritën edhe më tepër: “Allahu ua shton udhëzimin atyre, që janë në rrugë të drejtë”. (Merjem: 76)

    Shejh Dr. Abdulmuhsin El Kasim    

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU