Category: Mirësjellja – Edukata fetare

  • FEJA E VËRTETË TEK ALLAHU ËSHTË VETËM ISLAMI

    FEJA E VËRTETË TEK ALLAHU ËSHTË VETËM ISLAMI

    Njerëzit për të arritur deri te lumturia e dynjasë dhe për t’i njohur rrugët që çojnë deri te ajo kapen për shkolla ideologjike të ndryshme dhe i përkrahin ato! Njeriu i mençur s’ka nevojë të kapet për asnjërën nga to, sepse ai e di se, për të arritur deri të lumturia ekziston vetëm se një rrugë, e ajo është të kënaqurit e Allahut dhe të kapurit për fenë e Tij!

    Feja e vërtetë tek Allahu është Islami dhe nuk pranon fe tjetër nga krijesat e Tij. Tek Allahu nuk ka pasur fe tjetër të pranuar përpos Islamit dhe nuk do të ketë kurrë e asnjëherë fe tjetër: “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami”. (Ali Imran: 19)

    Allahu e bëri Islamin fe të gjithë pejgamberëve dhe të ithtarëve të tyre. Pejgamberi i parë, Nuhi, alejhi selam, tha: ”Por, nëse ktheni shpinën, (dijeni se) unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi. Shpërblimi im është vetëm tek Allahu. Mua më është urdhëruar të jem prej atyre që (i) nështrohen (Atij).” (Junus: 72)

    Miku i Allahut, Ibrahimi, alejhi selam, dhe i biri i vet, Ismaili, alejhi selam, thanë: ”O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje!”. (El-Bekare: 128)

    “Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë myslimanëtë nënshtruar ndaj Atij!”. (El-Bekare: 132)

    Musa, alejhi selam, tha: ”O populli im! Nëse besoni Allahun, mbështetuni tek Ai, nëse jeni muslimanë!”. (Junus 84)

    Allahu i Madhëruar për Isën, alejhi selam, tha: “Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha: “Kush janë ndihmuesit e mi në rrugën e Allahut?” nxënësit (e tij) u përgjigjën: “Ne jemi ndihmuesit e (fesë së) Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i) jemi nënshtruar (Atij)”. (Ali Imran: 52)

    Mbretëresha e Shebës tha: “O Zoti im, me të vërtetë unë e paskam dëmtuar veten dhe tani, bashkë me Sulejmanin i dorëzohem Allahut – Zotit të botëve!”. (En-Neml: 44)

    Islami është feja të cilën e zgjodhi Allahu për robërit e Tij: ”Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj”. (El-Maide 3)
    Allahu lajmëroi për premtimin e Tij, dhe Allahu premtimin e Tij nuk e thyen, se kjo fe do të lartësohet mbi të gjitha fetë tjera: “(Allahu) Është Ai që e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhërrëfimin (Kur’anin) dhe fenë e së vërtetës, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë, edhe sikur idhujtarët ta urrejnë këtë gjë”. (Et-Teube: 33)

    Nuk ka begati e as thesar më të çmuar sesa feja që Allahu e zgjodhi për krijesat e Tij e bëri rrugë që të arrihet deri tek Ai dhe e bëri rrugë të vetme për t’i arritur gradat e krenarisë, e fuqisë, ndihmës dhe përkrahjes! Ubej ibën Kab, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, ka thënë: ”Përgëzoje këtë Umet me pozitën e lartë, me fenë, me lartësimin, me fitore dhe pushtetin në Tokë. Kush bën vepra të ahiretit për dynjanë, në ahiret nuk do të ketë asgjë”.

    Dhe po ashtu ka thënë: ”Allahu ma mblodhi tokën dhe ma afroj, e pashë lindjen dhe perëndimin e saj, padyshim sundimi i Umetit tim do të arrijë në gjithë atë që më është afruar”.

    Me Islam nënkuptojmë nënshtrim, dhe dorëzim, dhe bindje ndaj urdhrave të Allahut dhe ndaj urdhrave të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Detyrohet çdo krijesë që çdo adhurim t’ia drejtojë me sinqeritet vetëm se Allahut dhe ta pasojë të Dërguarin e Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe të largohet nga idhujtaria dhe nga çdo gjë që çon deri te ajo, sepse idhujtaria është shkaku i rënies shpirtërore, e cila të çon deri në devijim dhe shkatërrim në dynja dhe ahiret! Allahu thotë: ”Kush i shoqëron Allahut diçka (në adhurim), i ngjan atij që bie nga qielli e që e rrëmben zogu ose i ngjan atij që stuhia e erës e ka hedhur në një vend të largët e të humbur”. (El-Haxh: 31) Kurse mëkati i cili nuk falet në ahiret, nëse njeriu vdes dhe nuk pendohet nga ai në dynja, është pikërisht shirku (idhujtaria): ”Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë”. (En-Nisa: 48)

    Islami është fe e pastër që përputhet me natyrshmërinë e pastër të njeriut! Islami është feja që i liroi njerëzit nga barrët e rënda dhe nga vështirësitë që i kishin më herët, si mëshirë dhe bamirësi, prej anës së Allahut: “dhe atyre që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit”. (El-A’raf: 157)

    Islami është fe që Allahu me të e themeloi sistemin shoqëror të ndërlidhur si bashkëlidhja në ndërtesa, elementet e së cilës janë të lidhur fort me njëri-tjetrin, ashtu si erdhi në hadithin që e përcjell Numan ibën Beshir, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku thotë se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ”Shembulli i besimtarit në dashurinë, mëshirën dhe miqësinë që kanë mes tyre është si shembulli i trupit; kur lëngon një organ në të, lëngon i gjithë organizmi”.

    Ebu Musa el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ”Besimtari me besimtarin janë si ndërtesa, elementet e së cilës janë të lidhur fort me njëri-tjetrin (dhe i lidhi gishtat e tij)”.

    Islami është fe që Allahu me të i mbrojti shpirtrat, pasuritë, mendjet dhe nderin! E ndaloi vrasjen e një shpirti, të cilin e ndaloi Allahu vrasjen e tij, përveç se atëherë kur e jep feja! E bëri të ndaluar cenimin e nderit të ndokujt dhe e bëri të ndaluar përdorimin e çdo gjëje që e dëmton trurin dhe mendjen e njeriut, si, drogën, cigaren, alkoolin, etj.! E ndaloi ngrënien e pasurisë në të kotë, me të gjitha format dhe ngjyrat e saj dhe ia mbrojti çdo njeriu të drejtën e vet dhe ia qartësoi detyrimet e tij, caktoi ligje dhe rregulla, për t’i mbrojtur të drejtat e njerëzve dhe ia ngriti vlerën dhe ia mbrojti krenarinë!

    Islami është fe që Allahu me të i ngriti bazat e drejtësisë në mesin e të gjitha krijesave, musliman apo jomusliman, arab apo joarab, të zi apo të bardhë, mashkull apo femër, i vogël apo i madh, dhe e bëri që takvaja për Allahun të jetë baza e epërsisë mes tyre: ”O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë”. (El-Huxhurat: 13)

    Në Sunetin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kanë ardhur shumë përgëzime me përkrahje dhe ngritje dhe fitore për këtë fe; nga ato:

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: ”Unë jam dërguar me shprehjen e shkurtër, por që mbart kuptime të gjëra dhe më është dhuruar fitorja duke ia ndezur tmerrin armikut (armikut në zemër), ndërsa, duke qenë në gjumë, mu dhuruan dhe mu vunë në dorë çelësat e thesareve të botës”.

    Muavije ibën Ebi Sufjan, Allahu qoftë i kënaqur me të, në hutben e tij tha se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: “Një grup nga umeti im do të vazhdojnë, të pranuar, në urdhrin e Allahut. Ata s’do të dëmtohen nga ata që ua kthejnë shpinën apo nga ata që i kundërshtojnë, derisa të vijë urdhri i Allahut dhe ata të jenë fitimtarë ndaj njerëzve”.

    Ubej ibën Kab, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, ka thënë: ”Përgëzoje këtë umet me pozitën e lartë, me fenë, me lartësimin, me fitore dhe pushtetin në Tokë”.

    Këto janë përgëzime të bekuara që na lajmëroi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili, nuk flet prej hamendjes, po flet me shpallje prej anës së Allahut!

    Shejh Usame ibën Abdullah Hajat

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • E DREJTA E FQINJIT

    E DREJTA E FQINJIT

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e pejgamberëve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin, biri i Abdullahut dhe rob i Allahut.

    Islami si Fe e Allahut erdhi me çdo gjë që është në dobi të robërve dhe vendeve dhe paralajmëroi nga çdo gjë që është e dëmshme për robërit dhe vendet. Kjo pa dyshim se vjen nga madhështia dhe përsosmëria e kësaj feje: Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj. (El-Maide: 3)

    Islami si Fe erdhi me të gjitha dobitë dhe të mirat që ia sigurojnë individit dhe shoqërisë një jetë të lumtur nën hijen dhe tolerancën e tij. Dobitë e Islamit përfshijnë dobinë e individit me Zotin e tij, me veten e tij, me prindërit e tij dhe me të gjithë njerëzit e tjerë.

    Sot me lejen e Allahut në këtë hutbe do të flasin rreth një lidhjeje nga lidhjet që nxit në të Islami, madje paralajmëron dhe kërcënohet për mosrespektimin e saj dhe ajo lidhje është lidhja e fqinjësisë. Fqinji në Islam ka emër të madh dhe pozitë të lartë dhe këtë e dëshmojnë shumë citate që kanë ardhur rreth çështjes së fqinjit.

    Allahu i Madhëruar thotë: Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfrit, fqinjët e afërt dhe të largët. (En-Nisa: 36)

    Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Xhibrili ka vazhduar duke më porositur për fqinjin derisa unë mendova se ai do ta trashëgonte (fqinji-fqinjin pas vdekjes, do ta bënte në rang të njëjtë me trashëgimtarët)” .

    Ebu Shurejh, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Pasha Allahun nuk ka besuar, pasha Allahun nuk ka besuar, pasha Allahun nuk ka besuar” . I thanë: Kush, o i Dërguar i Allahut? U përgjigj: “Ai nga dora e të cilit nuk është i sigurt fqinji i tij” .

    Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, dhe dijetarët e tjerë e cekin se ky hadith na lajmëron për madhështimin e të drejtave të fqinjit dhe se dëmtimi i tij është nga mëkatet e mëdha.

    Ebu Hurejra, Allahu e mëshiroftë, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush i beson Allahut dhe Ditës së Kiametit mos ta shqetësojë fqinjin e tij” . Më një transmetim tjetër: “Kush i beson Allahut dhe Ditës së Kiametit le ta fisnikërojë fqinjin e tij” .

    Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Nuk është fqinjësi e mirë të mos e dëmtosh fqinjin, por fqinjësi e mirë është t’i përballosh dëmet e fqinjit.

    Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: Nga e drejta e fqinjësisë është që t’i bësh mirë atij dhe mos ta shqetësosh atë.

    Disa thanë: Nëse tri cilësi i gjen tek një njeri atëherë mos dysho në mendjen dhe moralin e tij: nëse e falënderon fqinji, akraballëku dhe shoku i tij.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: Le të mos e pengojë fqinji-fqinjin në mbjelljen e drurit në murin e tij” .

    Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i ka thënë: “O Ebu Dher, nëse je duke përgatitur salcë me mish shtoja ujin dhe gostite fqinjin tënd” .

    Disa nga komentuesit e haditheve rreth këtij hadithi thanë: Hadithi aludon në nxitjen kah virtytet e larta të moralit dhe në udhëzim kah përmirësimi i tyre duke e pasur parasysh se nga kjo vepër rrjedh dashuri dhe afërsi dhe se me të arrihet dobi dhe largohet dëmi dhe nevoja. Ka mundësi që fqinji së bashku me familjen dhe fëmijët e tij të vegjël të shqetësohen nga era e përgatitjes së ushqimit të fqinjit sepse nuk ka mundësi të arrijë ta ushqejë familjen e tij me atë ushqim dhe me këtë mënyrë ua plotëson dëshirat dhe ua largon brengat dhe dhembjet.

    Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Shoku më i mirë tek Allahu është ai i cili është më i mirë për shokun e vet dhe fqinji më i mirë tek Allahu është ai i cili është më i mirë për fqinjin e vet” .

    O muslimanë, nga dukuritë shoqërore që nuk përgëzojnë për hajr është dukuria e ndërprerjes së lidhjes me fqinjin dhe mosdhënia e drejtave të tyre madje pa asnjë arsye të mjaftueshme.

    Nga dukuritë e këqija numërojmë se disa nga fqinjët ndjejnë ashpërsi nga disa fqinjë të tyre edhe pse ata përpiqen me të gjitha mënyrat që t’i afrohen atyre qoftë ajo me dhënien e selamit apo me dërgimin e ftesës për vizitë, mirëpo ata thjesht nuk janë të interesuar që të kenë lidhje me njëri-tjetrin. Ka raste kur fqinjët mes tyre asnjëherë nuk e vizitojnë njëri-tjetrin dhe ka raste që fqinji-fqinjin nuk e njeh dhe as emrin nuk ia di edhe pse jetojnë me një lagje me vite të tëra.

    Nga dukuritë negative dhe të këqija numërojmë edhe atë se disa nga fqinjët preken shumë dhe nevrikosen kur fqinji apo mysafiri i fqinjit ia parkon makinën para derës së tij dhe madje ka raste kur edhe fqinji i bërtet me zë të lartë fqinjit të tij dhe çështja arrin deri në konflikt fizik.

    Nga dukuritë e këqija numërojmë edhe atë se disa nga fqinjët ua ndalojnë grave dhe familjes së tyre që t’i vizitojnë fqinjët tjerë dhe mos të kenë lidhje me ta. Nëse ndalesa vjen për arsye fetare dhe se me këtë vepër i mbrohet familjes nderi nga fqinjët që janë mëkatarë atëherë kjo lejohet dhe madje preferohet dhe shpërblehet për këtë vepër sepse kryefamiljari është përgjegjës i familjes para Allahut të Madhëruar. Nëse ndalesa e familjes për vizitën e fqinjëve vjen si pasojë e pasimit të epshit apo nga vetë natyra e personalitetit të tij atëherë ai detyrohet që ta luftojë epshin dhe shejtanin dhe të kujdeset që sa më shumë t’i afrohet atyre me vepra që e shtojnë dashurinë mes tyre.

    O muslimanë, ajo çka është më e çuditshme në lidhjet fqinjësore është se disa gra janë më të hajrit në aspektin e vizitës dhe marrëdhënieve mes fqinjëve se sa burrat e tyre. Vërejmë disa nga gratë të cilat kur vendoset një grua tjetër në lagjen e tyre shkojnë tek ajo me pije dhe ushqime të ndryshme dhe shoqërohen dhe i vazhdojnë vizitat mes tyre.

    Nëse gjendja e grave sa i takon lidhjeve fqinjësore është kjo atëherë gjendja mes fëmijëve është edhe më e shpejtë sa i përket afërsisë mes tyre. I sheh fëmijët se si njoftohen mes tyre dhe lozin së bashku dhe e vizitojnë njëri-tjetrin, kurse në anën tjetër i sheh burrat se si nuk e afrojnë njëri-tjetrin dhe kjo pa dyshim se duhet të përmirësohet dhe të ndryshohet sa më shpejt.

    Ajo që është për të uruar dhe lavdëruar për disa fqinj është lidhja dhe marrëdhëniet e mira mes tyre dhe vizita e njëri-tjetrit. Nuk udhëton ndonjëri nga ata derisa nuk i lajmëron të gjithë për nisjen e tij dhe nuk kthehet nga udhëtimi vetëm se i përshëndet të gjithë, nuk bie në shtratin e sëmundjes ndonjëri nga ata vetëm se shkojnë të gjithë dhe e vizitojnë. Kjo pa dyshim se është një nga dukuritë e lavdëruara në të cilën nxit Islami dhe e pëlqen dhe mbi ta bazoi shumë shpërblime në këtë dynja dhe në ahiret.

    Dashuria dhe afërsia mes fqinjëve jep shumë dobi si, ndihmesa e të varfrit në mesin e tyre, vizita e të sëmurit, këshilla e mëkatarit, largimi i ashpërsisë dhe egërsisë mes tyre, dhe shumë të tjera që janë shkak për fitimin e shpërblimeve të shumta dhe kënaqësisë së Allahut.

    E lus Allahun që t’i bashkojë zemrat e tona dhe t’i përmirësojë ato dhe të na drejtojë të gjithëve në rrugë të drejtë.

    Shejh Dr. Abdulaziz Sed’han

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

     

     

     

     

     

  • MUAJI MUHARREM DHE DITA E ASHURËS

    MUAJI MUHARREM DHE DITA E ASHURËS

    1. Muaji Muharrem është muaji i parë i vitit hixhri[1] dhe është muaji i fundit nga muajt e shenjtë. Si muaj i shenjtë vjen i treti në varg pas muajve Dhulkade dhe Dhulhixhe, kurse pas tij vjen muaji Rexheb.[2] Allahu thotë: “Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur i krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë.” (Et-Teube: 36)

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Koha (viti) është kthyer përsëri, siç ka qenë në fillim kur Allahu i krijoi qiejt dhe tokën. Viti ka dymbëdhjetë muaj, katër janë të shenjtë, tre nga ta janë radhazi: Dhulkade, Dhulhixhe dhe Muharrem, kurse muaji Rexheb është ndërmjet muajit Xhumada dhe Shaban.”[3]

    1. Nga vlerat e këtij muaji është se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, e quajti “Muaji i Allahut”[4].

    Dedikimi i muajit si muaj i Allahut është në shenjë nderimi dhe madhështie, “gjë që aludon në vlerën dhe madhështinë e tij si muaj. Allahu kur i dedikon diçka Vetes ajo duhet të jetë e veçantë nga krijesat e Tij, ashtu si ia dedikoi ubudijes (të qenët rob i Allahut) së Tij Muhamedin, Ibrahimin, Is’hakun, Jakubin dhe profetët e tjerë, si dhe ia dedikoi Vetes shtëpinë e Tij (Qabenë) dhe devenë e Tij.”[5]

    1. Nga dijetarët ka që muajin Muharrem e llogarisin si më të mirin në mesin e muajve të shenjtë. El-Hasan el-Basrij, Allahu e mëshiroftë, tha: “Muaji më i mirë në mesin e muajve të shenjtë është muaji i Allahut, muaji Muharrem.”

    Dhe njashtu tha: “Allahu e filloi vitin me një muaj të shenjtë dhe e përfundoi me një muaj të shenjtë, andaj tek Allahu, pas muajit Ramazan, nuk ka muaj më të mirë brenda vitit se muaji Muharrem.”[6]

    1. Dhjetë ditët e para të Muharremit janë ditët më të mira të muajit. Ebu Uthman en-Nehdij, Allahu e mëshiroftë, tha: “Të parët tanë të mirë i dallonin tri dhjetëshe: dhjetëshin e fundit të Ramazanit, dhjetëshin e parë të Dhulhixhes dhe dhjetëshin e parë të Muharremit.”[7]
    2. Allahu e ndaloi t’i bëhet dëm vetes në muajt e shenjtë dhe thotë: “Prandaj, mos i bëni vetes dëm.” (Et-Teube: 36)

    Gjynahu gjatë muajve të shenjtë është më i madh sesa në muajt e tjerë për shkak të shenjtërisë dhe madhështisë së tyre.

    Katade, Allahu e mëshiroftë, tha: “Dëmi gjatë muajve të shenjtë është më i madh në gjynah karshi muajve të tjerë, edhe pse dëmi është i madh dhe padrejtësia e madhe në çdo kohë dhe në çdo gjendje, por Allahu madhështon nga çështja e Tij çfarë të dëshirojë.”[8]

    1. Myslimani gjatë muajit Muharrem pëlqehet ta shpeshtojë agjërimin e tij. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në një hadith tha: “Agjërimi më i mirë pas atij të muajit Ramazan është agjërimi në muajin Muharrem, dhe namazi më i mirë pas atij të detyruar është namazi i natës.”[9]

    Ibën Rexheb, Allahu e mëshiroftë, tha: “Hadithi tregon qartë se agjërimi vullnetar më i mirë, pas atij të detyruar në Ramazan, është agjërimi në muajin Muharrem.”[10]

    Këtu për qëllim është më i mirë në mesin e agjërimit vullnetar të përgjithshëm.

    1. Të agjërohet në muajin Muharrem është e pëlqyer, që nënkupton se pëlqehet të shpeshtohet agjërimi i tij, e jo të agjërohet muaji në tërësi, sepse është vërtetuar që Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, përveç muajit Ramazan asnjëherë nuk ka agjëruar muaj tjetër në tërësi, kurse më shumë ditë që ka agjëruar brenda një muaji tjetër ka qenë në muajin Shaban.[11]
    2. Dijetarëve u krijoi problem në kuptim agjërimi i shpeshtë i Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në muajin Shaban dhe jo në Muharrem, duke pasur parasysh që ai vetë e përmendi qartë se agjërimi më i mirë pas atij në Ramazan është agjërimi në muajin Muharrem.

    Përgjigjja është:

    Përmendet se ekziston mundësia që shpallja për vlerën e agjërimit në muajin Muharrem të mos i ketë zbritur, përveçse në fund të jetës së tij dhe para se t’i mundësohet të agjërojë në këtë muaj.

    Apo ekziston mundësia të jetë sfiduar me pengesa që e kanë penguar të agjërojë më shumë ditë në këtë muaj, si: udhëtimi, sëmundja etj.[12]

    1. Dita e Ashurës bie në ditën e dhjetë të muajit Muharrem, të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve të mëhershëm dhe bashkëkohorë, në këtë aludojnë hadithet, këtë kuptim e përmban vetë fjala (Ashura) dhe kjo është e njohur te dijetarët e gjuhës.[13]
    2. Ashura është emër islam dhe si emër nuk është njohur në periudhën para Islamit.[14]
    3. Dita e Ashurës pëlqehet shumë të agjërohet. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Për agjërimin e ditës së Ashurës, shpresoj që Allahu të m’i shlyejë gjynahet e vitit që kaloi.”[15]
    4. Agjërimi i ditës së Ashurës i shlyen të gjitha gjynahet e vogla dhe jo ato të mëdha.

    Nëse gjen gjynahe të vogla, agjërimi  i Ashurës i shlyen ato, e nëse nuk gjen as të vogla e as të mëdha, atëherë atij që agjëron i shkruhen të mira dhe i ngriten gradat, e nëse gjen gjynah të madh apo gjynahe të mëdha, shpresohet që ato gjynahe t’i lehtësohen.[16]

    1. Myslimani familjen, fëmijët dhe ata që i ka nën përgjegjësinë e tij duhet t’i nxitë ta agjërojnë ditën e Ashurës dhe natën të ngriten për syfyr.

    Rubejia bint Muavidh, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, për agjërimin e Ashurës[17]  tha: “E agjëronim ditën e Ashurës dhe i nxitnim fëmijët tanë që ta agjërojnë, u punonim lojëra nga leshi dhe kur qante ndonjëri për ushqim, u jepnim lojën të hutohen derisa të vinte koha e iftarit.”[18]

    1. Pëlqehet të agjërohet dita e nëntë dhe dita e dhjetë bashkërisht, si kundërshtim i çifutëve dhe krishterëve. Abdullah ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Kur Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e agjëroi ditën e Ashurës dhe urdhëroi të agjërohet, shokët e tij i thanë: “O i Dërguar i Allahut! Kjo është ditë që e madhërojnë çifutët dhe të krishterët!’’ Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të, tha: “Vitin që vjen, me lejen e Allahut, ditës së dhjetë do t’ia bashkëngjisim edhe ditën e nëntë.”; mirëpo kur erdhi viti tjetër Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, ndërroi jetë.

    Me një transmetim tjetër: “Nëse jam gjallë vitin që vjen, do ta agjëroj ditën e nëntë.”[19]

    1. Kujt i ik agjërimi i ditës së nëntë, mundet ta agjërojë ditën e dhjetë dhe të njëmbëdhjetën, për t’i kundërshtuar çifutët.
    2. Nga frika për ditët e muajit, se mund të jenë muaj të mangët, apo dyshimi se a ka hyrë saktësisht muaji Muharrem, apo nga frika e rënies në ndonjë gabim, si masë kujdesi dhe sigurie nuk ka gjë nëse ditës së Ashurës i shtohet një ditë para dhe një ditë pas, kështu që dita e nëntë në numër të bëhet e dhjeta në thelb të çështjes.
    3. Agjërimi i ditës së Ashurës te disa dijetarë është tri shkallë:

    Shkalla e parë: Ashura të agjërohet tri ditë: dita e nëntë, e dhjetë dhe e njëmbëdhjetë. Përcillet për këtë veprim një hadith, mirëpo i dobët[20], dhe përcillet se disa nga të parët tanë kësisoji kanë vepruar si masë kujdesi dhe sigurie.[21]

    Shkalla e dytë: Ashura të agjërohet dy ditë: dita e nëntë dhe e dhjetë. Shumica e haditheve aludojnë në këtë lloj agjërimi dhe me të ka ardhur suneti.

    Shkalla e tretë: Ashura të agjërohet vetëm ditën e dhjetë. Veçimi i ditës së dhjetë me agjërim lejohet dhe nuk urrehet të veprohet.[22]

    1. Nëse dita e Ashurës bie në ditën e xhuma apo të shtunë, nuk ka pengesë dhe nuk urrehet që njëra nga këto ditë të veçohet me agjërim. Myslimani e agjëron, sepse është ditë që ligjërohet agjërimi i saj, e jo se është ditë e xhuma apo e shtunë.[23]
    2. Atij që i kanë mbetur ditë nga Ramazani pa i agjëruar, nuk ka pengesë që ta agjërojë ditën e Ashurës me nijet të agjërimit vullnetar, e pastaj t’i kompensojë ato ditë nga Ramazani. Lejohet, sipas mendimit më të saktë, agjërimi vullnetar para se të kompensohen ditët e paagjëruara të Ramazanit, sepse është agjërim i përcaktuar që ikën me kalimin e ditës së vet, kurse te kompensimi i ditëve të humbura çështja është më e gjerë dhe ekziston më tepër hapësirë.
    3. Atij që i ka mbetur ndonjë ditë e Ramazanit pa e agjëruar dhe ditën e Ashurës e agjëron me nijet kompensimi të ditës së humbur të Ramazanit, agjërimi i tij pranohet si kompensim dhe shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit të Ashurës, sipas mendimit të disa dijetarëve, e kështu me kompensimin e ditës së humbur të Ramazanit e merr edhe shpërblimin e agjërimit të ditës së Ashurës. Dijetari Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, është në mesin e atyre dijetarëve që e ka dhënë këtë fetva.[24]

    Por ajo më e mira është që kompensimi i ditëve të humbura të Ramazanit të bëhet jashtë ditës së Ashurës, njëherit ta agjërojë ditën e Ashurës me nijet agjërimi vullnetar, e më pas t’i agjërojë ditët e humbura të Ramazanit, dhe kështu të bashkojë në mes të dy mirësive, mirësisë së kompensimit dhe mirësisë së agjërimit të ditës së Ashurës.

    1. Lejohet që dita e nëntë dhe e njëmbëdhjetë të agjërohet me nijet kompensimi të Ramazanit, ndërsa dita e dhjetë të agjërohet me nijet agjërimi të Ashurës, dhe kështu ta arrijë shpërblimin e kompensimit dhe shpërblimin e agjërimit vullnetar.
    2. Udhëtari përderisa nuk gjen vështirësi ta agjërojë ditën e Ashurës gjatë udhëtimit të tij, i lejohet të agjërojë.
    3. Gruas me menstruacione apo lehoni apo i sëmuri, agjërimin e Ashurës nuk duhet ta kompensojnë pasi të kalojë dita e saj, ngase është i ndërlidhur me ditë të veçantë dhe dispozita e saj mbaron me kalimin e ditës.[25]
    4. Ai që me arsye nuk e agjëron ditën e Ashurës, si: i sëmuri, gruaja me menstruacione apo gjidhënësja, dhe nga tradita e tij ka qenë agjërimi i Ashurës për çdo vit, ai do të shpërblehet sipas nijetit të tij. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me një hadith, tha: “Kur robi sëmuret apo është udhëtar, i shkruhen shpërblimet atij, sikurse ka punuar si vendas dhe i shëndoshë.”[26]
    5. Agjërimi i ditës së Ashurës ka qenë i patjetërsueshëm para se të detyrohet agjërimi i muajit Ramazan, e më pas u bë i pëlqyeshëm. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell: “Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, urdhëronte të agjërohet dita e Ashurës para se të detyrohet agjërimi i Ramazanit, e kur agjërimi i Ramazanit u bë i patjetërsueshëm, atëherë agjërimi i Ashurës u bë sipas dëshirës, kush dëshironte e agjëronte dhe kush nuk dëshironte nuk e agjëronte.”[27]

    Me një hadith tjetër: “Sot është Dita e Ashurës. Allahu nuk e bëri të patjetërsueshëm agjërimin e saj, por unë sot jam me agjërim. Kush do të agjërojë, le të agjërojë dhe kush do të mos agjërojë, le të hajë.”[28]

    1. Dita e Arafatit ka vlerë më të madhe se dita e Ashurës, agjërimi i saj i shlyen gjynahet e dy viteve.

    Nga urtësitë që përmenden thuhet se dita e Ashurës bashkëlidhet me Musain, alejhi selam, kurse dita e Arafatit bashkëlidhet me Profetin Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe është nga veçoritë e fesë sonë, prandaj edhe ka vlerë më të madhe dhe ajo u shumëfishua me bereqetin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.

    Si urtësi tjetër përmendet se dita e Arafatit bie në muajin Dhulhixhe që është muaj i shenjtë dhe para tij është muaji Dhulkade që është muaj i shenjtë dhe pas tij vjen muaji Muharrem që është muaj i shenjtë, në krahasim me ditën e Ashurës që nuk e ka këtë pozitë.[29]

    Përmendet njashtu se Allahu në ditën e Ashurës e plotësoi begatinë mbi Musain duke e shpëtuar nga armiku i tij, kurse në ditën e Arafatit e plotësoi begatinë mbi Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke e plotësuar mesazhin e tij. Arritja e plotësimit të begatisë në fe është më madhështore se arritja e begatisë në trup, kështu që epërsia në shpërblim ka ardhur si rrjedhojë e epërsisë në begati, që njëra është në fe e tjetra në trup.

    1. Dita e Ashurës është ditë madhështore nga ditët e Allahut, ashtu siç erdhi në hadith[30], ndërsa Allahu thotë: “…dhe përkujtoju atyre ditët e Allahut….” (Ibrahim: 5). Në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe e fundosi në det faraonin dhe popullin e tij, prandaj edhe Musai, alejhi selam, në shenjë falënderimi e agjëroi këtë ditë. Po ashtu këtë ditë e agjëroi edhe Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe e pëlqeu agjërimin e saj duke e ndjekur kështu veprimin e Musait, alejhi selam, “dhe kjo kundrejt trajtimit të begatisë me falënderim në kohë që i bën ato të mëdha.”[31]

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur erdhi në Medine i gjeti çifutët duke e agjëruar ditën e Ashurës dhe u tha: “Çfarë është kjo ditë që ju po e agjëroni?” I thanë: “Kjo ditë është madhështore, Allahu në të e shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe e fundosi në det faraonin dhe popullin e tij, – me një transmetim tjetër: “kjo është dita kur Allahu u ndihmoi Musait dhe bijve të israilit kundër faraonit”, dhe Musai këtë ditë e agjëroi në shenjë falënderimi dhe po e agjërojmë edhe ne.”

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Ne kemi më shumë të drejtë dhe jemi më meritorë për Musain sesa ju.”; kështu që Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi të agjërohet.”[32]

    1. Dita e Ashurës na e rikujton lidhshmërinë e thellë që e kanë në mes tyre myslimanët, edhe poqë se ndryshojnë kohët dhe largësitë e njëri-tjetrit, si dhe na e rikujton realizimin e patjetërsueshëm të vëllazërisë imanore në mes myslimanëve dhe realizimin e miqësisë për Allahun dhe profetin e Tij dhe robërit e Tij besimtarë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin.” (Et-Teube: 71)
    2. Dita e Ashurës është ditë falënderimi dhe ditë e kërkimit të shpëtimit dhe e fitores nga Allahu. Musait në këtë ditë i thanë: “Me të vërtetë, na zunë!” (Esh-Shuara: 61), kurse përgjigja e tij ishte: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën”. (Esh-Shuara: 62)
    3. Madhërimi i ditës së Ashurës ishte i njohur edhe në periudhën para Islamit, njerëzit e madhëronin dhe në të agjëronin si dhe e mbulonin Qabenë, ashtu siç tha Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj.[33]
    4. Dita e Ashurës madhërohet me agjërimin e saj në shenjë falënderimi ndaj Allahut për begatinë e shpëtimit dhe shkatërrimit të armikut, si dhe kjo ditë na i rikujton veprimet e Allahut ndaj armiqve të Tij dhe armiqve të profetëve të Tij.
    5. Ka njerëz që kanë shpikur shumë risi për Ashurën. Ndër to numërojmë atë që e veprojnë disa ithtar të risive të cilët këtë ditë e marrin si ditë zie, për shkak të vrasjes së Husejnit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ditë pikëllimi, vajtimi, grisjeje të rrobave, rrahjeje të fytyrës dhe bërtitjeje me zë të lartë. Kjo nuk ka të bëjë me fe fare, madje kjo është nga veprimet e periudhës para Islamit.

    Me një hadith ka ardhur. “Ai i cili rrah faqet e veta, që gris rrobat dhe që kërkon e ndjek rrugët e sjelljet e xhahilijetit (padijes paraislame), një i tillë nuk është prej nesh.”[34] Besimtari gjatë fatkeqësive duron, e shpreson shpërblimin dhe është i kënaqur me caktimin e Allahut.

    1. Në këtë ditë shejtani luan dhe tallet me mendjet e disa njerëzve dhe i largon nga rruga e besimtarëve. Disa këtë ditë e shndërruan në ditë zie dhe ngushëllimi, disa të tjerë e shndërruan në festë dhe këndim, madje gjen të tillë që bëjnë manifestime dhe gatuajnë ëmbëlsira dhe ushqime enkas për këtë ditë dhe kjo është përngjasim me çifutët dhe të krishterët në madhështimin e kësaj dite. Kjo e tëra është nga risitë në fe.

     

    E lusim Allahun që të na japë sukses dhe saktësi në atë që e do dhe është i kënaqur me të, falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.

    Dr. Muhamed Salih El-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Marrë nga libri: Sezonet e adhurimit

     

    [1]  Fjala arabe “Hixhri” nënkupton emigrimin apo shpërnguljen e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, prej Mekës në Medine në vitin 622 gregorian. Shpërngulja e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe myslimanëve prej Mekës në Medine është nisma e llogaritjes së kohës së kalendarit mysliman. Udhëheqësi i myslimanëve, Omer ibën el-Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ishte ai që në vitin 638 gregorian e vuri në përdorim kalendarin mysliman dhe ditën e emigrimit e bëri dita e parë e kalendarit hixhri. Viti hixhri i ka dymbëdhjetë muaj, ditë i ka 354, pra 11 ditë më pak se viti gregorian, sepse bazohet në lëvizjet e hënës, e jo të diellit. (sh.p.)

    [2] Muajt e shenjtë janë katër: Dhulkade, Dhulhixhe, Muharrem dhe Rexheb. Këta muaj janë me shumë vlerë dhe të bekuar dhe në ta ndalohet rreptësisht lufta. Muaji i parë prej katër muajve të shenjtë është muaji Rexheb, kurse i fundit është Muharrem, edhe pse në kalendarin hixhri në radhitje muaji Rexheb është i shtati, kurse Muharrem është i pari. (sh.p).

    [3] Buhariu (3197), Muslimi (1679).

    [4] Muslimi (1163).

    [5] “Letaif el-Mearif”, Ibën Rexheb (fq. 36).

    [6] “Letaif el-Mearif”, Ibën Rexheb (fq. 34).

    [7] “Letaif el-Mearif”, Ibën Rexheb (fq. 35).

    [8] Tefsir et-Taberij (14/238), Tefsir Ibën Kethiri (4/148).

    [9] Muslimi (1163).

    [10] Letaif el-Mearif (fq. 33).

    [11] Buhariu (1969, 1971), Muslimi (1156, 1157).

    [12] Shih: Sherh en-Nevevij ala Muslim (7/37,55), El-Mexhmua (6/387).

    [13] Shih: Sherh en-Nevevij ala Muslim (7/12), El-Mexhmua (6/383).

    [14] Shih: Mesharik el-Envar”, Kadi Ijad (2/102), Keshaf el-Kana’a, El-Buhutij (2/338).

    [15] Muslimi (1162).

    [16] Shih: Sherh en-Nevevij ala Muslim (3/113, 8/51), El-Mexhmua (6/382).

    [17] Në fillim ka qenë detyrim të agjërohet, më vonë kur u bë i detyruar agjërimi i muajit të Ramazanit, agjërimi i Ashurës u la i lirë, kush dëshironte e agjëronte, e kush dëshironte e linte. (sh.p).

    [18] Buhariu (1960), Muslimi (1136).

    [19] Muslimi (1134).

    [20] Fjalët e hadithit janë këto: “Agjëroni ditën e Ashurës, kundërshtoni çifutët në këtë ditë duke e agjëruar një ditë para apo pas.” Me një transmetim tjetër: “Agjëroni një ditë para dhe një ditë pas.” Shënon imam Ahmedi (2154), Bejhakiu në el-Kubra (4/287). Hadithi është es-Silsiletu ed-Daife (4297), dhe hadithin e kanë vlerësuar si të dobët verifikuesit e haditheve të Musnedit të imam Ahmedit, ndërsa shejh Ahmed Shakir e vlerësoi si të mirë zinxhirin e hadithit.

    [21] Letaif el-Mearif (fq. 52).

    [22] Shih: Zadul Mead, Ibën el-Kajimi (2/72), Fet’hul Barij, Ibën Haxheri (4/246).

    [23] Shih: Fet’hul Barij (4/234), Fetava Ibën Baz (15/414), Fetava Ibën Uthejmin (20/58).

    [24] Shih: Fetava Ibën Uthejmin (20/48).

    [25] Shih: Fetava Ibën Uthejmin (20/43).

    [26] Buhariu (2996).

    [27] Buhariu (1592), Muslimi (1125).

    [28] Buhariu (2003), Muslimi (1129).

    [29] Shih: Bedaiu el-Fevaid (4/211), Fet’hul Barij (4/249).

    [30] Hadithi: “Ashura është ditë nga ditët e Allahut.” Shënon Muslimi (1892).

    [31] Letaif el-Mearif (fq. 96), me disa ndryshime të lehta.

    [32] Buhariu (3943), Muslimi (1130).

    [33] Buhariu (1893, 1592), Muslimi (1125).

    [34] Buhariu (1294), Muslimi (103).

  • MAGJIA

    MAGJIA

    Allahu, azze ue xhel, e krijoi njeriun me natyrshmëri të pastër, ndërsa shejtanin ia bëri armik të përbetuar. Shejtani tenton që njeriun ta largojë prej rrugës së drejtë, i afrohet prej gjitha anëve dhe rrugëve, derisa ta mashtrojë atë që do Allahu. Disa prej tyre ua thyen mendjen dhe i mashtron t’i besojnë besëtytnive dhe të kotave, ndërsa disa prej tyre i bind se magjistarët dhe fallxhorët janë shpëtim dhe zgjidhje i problemeve të tyre.

    Islami erdhi si fe e cila e pastron ideologjinë e njeriut nga këto të kota, zemrën e tij prej papastërtive dhe diturinë e tij prej devijimeve. Mirëpo, kur disa filluan të largohen prej mësimit të teuhidit, mësimdhënies së tij dhe rikujtimit të tij, filloi dobësimi i besimit dhe paraqitja e shirkut. Po ashtu zgjerimi i çështjeve jetësore, mjetet e informimit, udhëtimet e ndryshme nëpër botë janë ndër faktorët kryesorë që ndikuan në ideologjinë e muslimanëve dhe në rritjen e padijes kundrejt teuhidit. Shembull më të mirë e kemi shkuarjen e njerëzve te magjistarët dhe fallxhorët kur sprovohen me sprova të ndryshme dhe harrojnë mbështetjen në Allahun e tyre.

    O muslimanë!

    Magjistari dhe fallxhori i sprovojnë zemrat e të dobëtëve, i mashtrojnë sytë e tyre dhe i hutojnë mendjet me gënjeshtra. Veprat e tyre janë sherr dhe sprova për të gjithë ata që zemrat e tyre i kanë të sëmura. Magjia është fjalë magjike, yshtje dhe nyje, që ndikojnë në zemra dhe trupa dhe është prej mëkateve më të mëdha të ndaluara në Islam dhe në të gjitha fetë tjera. Veprimi i saj e mohon teuhidin dhe e nxjerr vepruesin e saj prej Islami. Ai që dëshiron të merret me këtë vepër të shëmtuar së pari duhet t’i nënshtrohet shejtanit dhe t’i bëj shirk e kufër Allahut.

    Dëmi i saj në shoqëri është shumë i madh. Sa njerëz kanë vdekur prej magjisë, e sa të tjerë janë sëmurë dhe sa prej tyre janë çmendur? Sa burra dhe gra janë ndarë dhe sa familje janë shkatërruar? Kjo e tëra është dëm, shkatërrim dhe urrejtje. Allahu, azze ue xhel, e rrëfen të vërtetën kur thotë: “Magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet”. (Ta Ha: 69)

    Gjendja e magjistarëve është e mjerueshme, veprat e tyre janë të papranueshme dhe po të dinte ai i mjeri diçka prej atyre fshehtësive që i pretendon së pari do t’i ndihmonte vetes, do t’i largonte sprovat dhe do t’i shtonte begatitë. Mirëpo kjo e tëra është në dorën e Allahut dhe me përcaktimin e Tij.

    Disa prej argumenteve që e ndalojnë magjinë:

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër” (El-Bekare: 102)

    Allahu na njofton se jehuditë e dinin se kush e përvetëson këtë vepër dhe e le fenë e Allahut dënimi i tij në Ahiret është i dhimbshëm, për shkak se e shet për dynjanë fenë e tij.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Besojnë në idhuj (el xhibt) dhe në taguta”. (En-Nisa: 51)

    Omeri, radijallahu anhu, thotë: “Fjala idhuj (el xhibt) në këtë ajet e ka për qëllim magjinë, ndërsa fjala tagut e ka për qëllim shejtanin.”

    Allahu, azze ue xhel, në këtë ajet ua qortoi jehudëve besimin e tyre në magji dhe nënshtrimin e tyre ndaj shejtanit.

    Xhabiri, radijallahu anhu, thotë: Taguta e ka për qëllim magjistarët, të cilëve iu zbritshin shejtanët çdo njërit prej tyre në çdo lagje dhe çdo fis.”

    E qartëson, Xhabiri, radijallahu anhu, se magjistarëve u zbresin shejtanë dhe i lajmërojnë për lajmet që i vjedhin prej qielli. Prej njëqind lajmeve që ua tregojnë vetëm një është e vërtetë, ndërsa lajmet tjera janë përralla që i shpifin vet. Para shpalljes së Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, çdo fis prej fiseve arabe e kishte nga një magjistarë të cilit iu drejtonin kur kishin nevojë. Mirëpo me ardhjen e Islamit kjo u ndalua dhe qielli u mbrojt me yje të shumta në numër.

    Ebu Hurejra, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Largohuni prej shtatë mëkateve të mëdha dhe shkatërruese”. Thanë: O i Dërguar i Allahut cilat janë ato? Tha: “Ti bësh Allahut shok, të bësh magji, të vrasësh njeri jeta e të cilit është e ndaluar me ligj të Allahut përveç se me të drejtë, ta hash kamatën, ta hash pasurinë e jetimit, të ikësh prej fushëbeteje dhe të shpifësh për amoralitet gratë besimtare, të devotshme dhe të ndershme.”

    Këto janë shtatë mëkatet e mëdha dhe shkatërruese për vepruesin e saj, ndërsa dënimi i tyre në dynja dhe ahiret është i dhimbshëm dhe për këtë shkak Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, na paralajmëroi për rrezikun e tyre dhe na urdhëroi që të largohemi.

    1. Shirku në Allahun: Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, filloi me shirkun për shkak se është mëkati më i madh që i bëhet Allahut. Shirk do të thotë t’i barazosh Allahut Zota tjerë në veçori dhe atribute që i takojnë vetëm Allahut, si kërkimi i ndihmës prej njerëzve të vdekur, pastaj therja, lutja dhe frika ashtu si e meriton vetëm Allahu.

    Vepruesi i shirkut është banor i përhershëm i Xhehenemit në rast se nuk pendohet në dynja. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës”. (El-Maide: 72); “(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.” (Lukman: 13)

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, kur u pyet se cili është mëkati më i madh te Allahu? U përgjigj: “T’i bësh Allahut shok, e ai të ka krijuar.”

    1. Bërja e magjisë: Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, magjinë e përmendi pas shirkut për shkak se veprimi i saj të nxjerr prej Islami. Për të punuar me magji patjetër duhesh t’i nënshtrohesh shejtanit dhe t’i afrohesh atyre me therje, me lutje dhe me kërkim ndihme. Pesë mëkatet tjera që vijojnë pas magjisë në vete përmbajnë nga një lloj dhune e armiqësie, në trup, në pasuri ose në nder. Kurse magjia i përfshin të gjitha llojet e këtyre dëmeve duke ia shtuar edhe dëmin më të madh në të drejtën e Allahut, e ajo është bërja shok Allahut në adhurim.
    2. Vrasja e njeriut e cila është e ndaluar me ligj të Allahut përveç se me të drejtë: Ky është mëkat i madh dhe nuk lejohet vrasja e asnjë njeriu, përveç se atë që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij. Në këtë ndalesë përfshihet edhe vrasja e jobesimtarëve të cilët hyjnë në shtet islam dhe janë në marrëveshje me muslimanët. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Kush vret një jobesimtar dorëzanë nuk do ta nuhasë erën e Xhenetit.”
    3. Ngrënia e kamatës: Ndalohet ngrënia e çdo llojit të kamatës dhe Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, e mallkoi ngrënësin e saj, atë që e jep, atë që e shkruan aktin e kamatës dhe dëshmitarët. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ata që marrin fajde, do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet” (El-Bekare: 275)
    4. Ngrënia e pasurisë së jetimit: Kjo do të thotë cenimi i pasurisë së tij nëpërmjet të ngrënit, sepse e ngrëna është përgjithësisht një mënyrë përfitimi. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ata që hanë pasurinë e jetimëve padrejtësisht, në të vërtetë hanë zjarr në barqet e tyre dhe do të digjen në zjarrin e ndezur fort”. (En-Nisa:10)
    5. Zmbrapsja në ditën e betejës: Kjo do të thotë t’i kthesh shpinën jobesimtarëve në kohën e luftimit. Ky veprim është gjynah i madh nëse muslimani zmbrapset prej beteje dhe i bashkëngjitet jobesimtarëve ose zmbrapset prej frike dhe i le muslimanët në gjendje të keqe. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë, kur të ndeshni ushtritë e jobesimtarëve në betejë, mos ua ktheni shpinën! Cilido që ua kthen shpinën atë ditë, përveç atij që tërhiqet me qëllim që të sulmojë përsëri ose për t’u bashkuar me një tjetër, do të shkaktojë zemërimin e Allahut dhe do të ketë si strehë Xhehenemin. Eh, sa fund i keq është ky!” (El-Enfal: 15-16)
    6. Shpifja ndaj grave të ruajtura, të pafajshme dhe besimtare: Kjo do të thotë shpifja ndaj grave të ruajtura, që nuk i hedhin sytë drejt imoralitetit dhe paturpësive, të drejta, të devotshme, të martuara apo beqare, me imoralitet dhe kurvëri. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vërtet, ata që përgojojnë gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në tjetrën; për ata ka dënim të madh.” (En-Nur: 23)

    O robër të Allahut, këto janë shtatë mëkatet e mëdha që duhet t’i largohemi për shkak se e meritojnë zemërimin e Allahut dhe ai i cili bie në njërën prej tyre le të shpejton me pendim të sinqertë para se t’i del shpirti dhe të kthehet te Zoti i saj.

    “Dhe shkuan pas shpifjeve që bënin djajtë kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues. Ata u mësonin njerëzve magjinë dhe dijeninë që u ishte dërguar dy engjëjve në Babiloni – Harutit e Marutit. Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magji, pa i thënë: “Ne jemi dërguar për t’ju vënë në provë, andaj ti mos u bëj mohues (duke mësuar apo ushtruar magjinë)!” Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi. Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e veta! Ah, sikur ta dinin ata!” (El-Bekare: 102)

    O robër të Allahut, azze ue xhel!

    Dëmi prej magjisë për shoqërinë është i madh, prandaj edhe dënimi për magjistarin është vrasja.

    Xhundubi, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ndëshkimi i magjistarit është goditja e tij me shpatë.”

    Bexhaleh, radijallahu anhu, thotë se Omeri, radijallahu anhu, na shkroi që ta mbysim çdo magjistar dhe magjistare, dhe pas kësaj letre i mbytëm tre magjistarë.

    Përcillet se edhe Hafsa, radijallahu anha, kishte urdhëruar që të mbytet shërbëtorja e saj e cila e kishte magjepsur dhe më vonë e mbytën.

    Shërimi më i mirë prej magjisë është me ilaçe prej Kur’anit dhe Sunetit dhe në to ka shumë dobi. Ndikimi i magjisë në trup mundet të shkatërrohet dhe trupi të mbrohet vetëm me leximin e Kur’anit, me lutje dhe me dhikër. Kur zemra e robit mbushet me lexim dhe me dhikër do të shërohet me lejen e Allahut, azze ue xhel, prej çdo sëmundje qoftë prej magjisë, apo prej mësyshit, apo prej sëmundjeve psikike dhe prej sprovave të ndryshme.

    Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, na mësoi se si të mbrohemi prej saj me anë të lutjeve dhe dhikreve profetike, dhe prej saj: leximin e sures Felek dhe Nas nga tri herë në mëngjes dhe mbrëmje dhe para gjumi. Po ashtu leximin e ajetul Kursi në mëngjes dhe mbrëmje, dhe leximin e dy ajeteve të fundit prej sures El-Bekare. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Kush i lexon natën dy ajetet e fundit prej sures El-Bekare i mjaftojnë (i mjaftojnë prej çdo sherri).”

    Pastaj leximi i lutjes: “Bismilahi el ledhi la jedur’ru mea ismihi shej’un fil erdi ue la fis sema ue huve semiul alim” (Me emrin e Allahut pranë emrit të Atij që nuk të bën dëm asgjë në tokë e as në qiell, Ai që dëgjon dhe di çdo send.) tre herë në mëngjes dhe në mbrëmje.

    Po ashtu lexohet lutja: “Eudhu bi kelimatilahi tammati min kul sherrin ma halak” (Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut nga sherri që ka krijuar) tre herë në mëngjes dhe në mbrëmje.

    Mënyra e dytë për mbrojtjen prej magjisë është edhe ngrënia e shtatë hurmave Axhueh në mëngjes para ngrënies së ushqimit. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush i ha shtatë hurma Axhueh në mëngjes nuk i bën dëm atë ditë as helmi e as magjia.”

    Shejh Abdulaziz ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, thotë se përveç Axhues bëjnë dobi edhe hurmat tjera të cilat janë prej Medine duke u bazuar në hadithin i cili gjendet te Muslimi. Këto hurma veçohen prej hurmave të vendeve të tjera për shkak vlerës dhe veçorive të Medinës, dhe shpresohet që Allahu të bën dobi me to.

    Në fund e lus Allahun, azze ue xhel, që mua dhe jush të na mbrojë prej çdo të keqe në dynja dhe ahiret.

    Dr. Abdulmelik el Kasim

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • PESË FATKEQËSITË E MËDHA

    PESË FATKEQËSITË E MËDHA

    O muslimanë, në vazhdim do të flasim për një hadith të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, një hadith madhështor në të cilin ka paralajmërim të vërtetuar dhe nxitje të fortë për të larguar nga shkaqet e çrregullimit në tokë dhe njerëz:

    Nga Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u kthye drejtë nesh dhe tha: “O emigruesit në rrugë të Allahut! Janë pesë gjëra për të cilat lus Allahun të mos sprovoheni me to, e të mos i arrini ato. Nuk është përhapur imoraliteti në ndonjë popull derisa ta shfaqin haptazi, e të mos përhapen në mesin e tyre murtaja (sëmundjet ngjitëse) dhe sëmundje të tjera të cilat nuk kanë ekzistuar te paraardhësit e tyre. Nuk peshojnë dhe matin mangët, vetëm se do të ndëshkohen me varfëri, skamje dhe tirani të sundimtarëve (sulltanëve). Nuk e ndërpresin dhënien e zekatit, vetëm se do t’u ndërpritet rënia e shiut, saqë sikur të mos ishte shkaku i kafshëve nuk do të binte asnjë pikë. Nuk e thyejnë premtimin e dhënë Allahut dhe premtimin e dhënë të Dërguarit të Tij, vetëm se Allahu atyre do t’u përcaktojë një armik të jashtëm i cili do ua marr disa prej të mirave që i posedojnë. Dhe nuk gjykojnë prijësit e tyre me ligj tjetër përveç Librit të Allahut, si dhe nuk zgjedhin gjykime të tjera përveç asaj që ka përcaktuar Ai, vetëm se Allahu do t’i përçajë dhe do ua shtojë urrejtjen mes vete”.

    Ky hadith ia qartëson Umetit se esenca e çdo çrregullimi është largimi nga rruga e Allahut dhe devijimi nga udhëzimi i të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. S’ka dyshim se gjynahet dhe të ligat janë esenca e çdo belaje dhe e çdo fatkeqësie dhe shkaktare e çdo dëmi dhe problemi: Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë”. (Esh-Shura: 30)

    Gjendja aktuale e përbuzur e muslimanëve na bën të ndalemi para këtij hadithi madhështor dhe ta përsiatim dhe në fund të dalim me tri konkludime:

    Konkludimi i parë: Ta dimë se përhapja e sëmundjeve ngjitëse shkatërruese dhe të sëmurit e njerëzve me sëmundje të panjohura, vjen nga përhapja e fëlliqësirave në mesin e njerëzve dhe nga përhapja e tepërt e imoralitetit dhe homoseksualizmit dhe përhapja e mjeteve dhe thirrjeve në të, nëpërmjet mjeteve të ndryshme informative.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur te një popull përhapen gjynahet dhe mëkatet dhe numri i mëkatarëve është më i vogël se sa i popullit ku jetojnë dhe të tjerët nuk marrin masa për ta ndryshuar gjendjen, ka shumë mundësi që Allahu ta dënojë atë popull në tërësi”.

    Në një hadith tjetër përcillet: “Umeti im vazhdon të jetojë në mirësi derisa nuk përhapet në mesin e tyre fëmija i imoralitetit dhe kur përhapet ky gjynah në mesin e tyre atëherë ka mundësi që Allahu ta dënojë atë popull në tërësi”.

    Nga transmetimi i Ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcillet se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Nuk është përhapur imoraliteti te një popull vetëm se në mesin e tyre është përhapur vdekja”.

    Konkludimi i dytë: Ngrënia e pasurisë haram dhe lëshimi pe në këtë çështje për sa i përket ngrënies së pasurisë në të kotë, të vjedhurit dhe pakësimi në peshore, tradhtia, mashtrimet e të gjitha llojeve dhe formave, janë shkaqe e gjendjes aktuale të muslimanëve: “Mos ia merrni pasurinë njëri-tjetrit padrejtësisht”. (El-Bekare: 188)

    Nga lloji më i rëndë i pakësimit dhe vjedhjes në vagë nga të cilat na vijnë edhe këto bela është ngrënia e pasurisë së përgjithshme të muslimanëve, shfrytëzimi i autoritetit për të arritur deri te grabitja e pasurisë së muslimanëve, përdorimi i pozitave për të përfituar projekte joligjore, e të mos flasim për ryshfetin me të gjitha format e tij.

    Kjo e tëra nëse përhapet në tokat e muslimanëve bëhet shkak për paraqitjen e çrregullimeve dhe ardhjen e belave dhe fatkeqësive, edhe atë jo vetëm se mbi individin mëkatar, po edhe mbi shoqërinë në tërësi.

    Kur njerëzit largohen nga dispozitat e Islamit sa i përket përfitimit të pasurisë dhe largohen nga sistemi i Kur’anit dhe Sunetit, u ngushtohet jeta dhe u vijnë dëme të llojeve të ndryshme, nga pakësimi i shiut, përfshirja e cikloneve, humbja e bereqetit, rritja e çmimeve, përhapja e varfërisë, e të mos flasim për përhapjen e padrejtësisë në tokat e muslimanëve dhe shtypjet që u bëhen. Shpërblimi vjen sipas llojit të veprës.

    Kur njerëzit përqendrohen mes tyre në marrëdhëniet e shitblerjes dhe sistemit bankar sipas asaj që e ka ligjësuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, Allahu ua bën atyre që në çdo vështirësi të gjejnë zgjidhje e rrugëdalje dhe t’i furnizon nga nuk e presin: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret”. (Et-Talak: 2-3)

    Konkludimi i tretë: Shteti islam e ka për detyrë t’i praktikojë dispozitat e dy shpalljeve (Kur’anit dhe Sunetit) në të gjitha sferat jetësore dhe në të gjitha çështjet, kurse nga njerëzit kërkohet që dispozitat e Islamit të jenë kushtetuta e tyre në të gjitha çështjet jetësore, të voglat dhe të mëdhatë, atëherë do të përfshihen nga siguria dhe paqja, rehatia dhe jetesa e mirë. Sipas sasisë së largimit nga rruga e sheriatit u vijnë edhe belat e fatkeqësitë dhe krizat e padrejtësitë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër”. (Ta Ha: 124)

    Shtetet islame kur shmangen nga të praktikuarit e ligjeve të Allahut tërësisht apo pjesërisht, goditen me varfëri dhe u vijnë bela dhe sprova. Gjendja aktuale e mjerë e muslimanëve dhe e shteteve islame, ku muslimanët janë sprovuar në fenë e tyre dhe në trupat e tyre, u cenohen të drejtat e tyre, u cenohet gjaku dhe nderi, pasuria dhe siguria, vjen si pasojë e gjykimit me ligje të aplikuara nga vet njerëzit, e jo me ligjet të cilin i ka zbritur Allahu. Kjo është bërë sebep që të përhapet padrejtësia në tokë dhe në mesin e njerëzve dhe të shtohet çrregullimi dhe të shtohet urrejtja mes udhëheqësit dhe parisë së tij dhe të humbet tek njerëzit kuptimi i hadithit të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Udhëheqësit më të mirë janë ata të cilët i doni dhe ju duan, luteni për ta dhe luten për ju. Kurse udhëheqësit më të keq janë ata të cilët i urreni dhe ju urrejnë dhe i mallkoni dhe ju mallkojnë”.

    O njerëz që logjikoni të çdo shteti islam, në çdo shtet musliman ku ka kryengritje dhe orvatje për ta ndryshuar sistemin gjykues të padrejtë, dijeni se duhet të kapeni për Kur’anin dhe Sunetin se përndryshe nuk do t’i arrini qëllimet e juaja dhe çrregullimet nuk do të largohen dhe përmirësimi nuk do të vjen. Më e keqja është se Allahu do të bëjë që të përhapet e liga dhe të përdoret forca mes jush, ashtu si edhe e sqaron ky hadith madhështor: “Përderisa udhëheqësit e juaj nuk gjykojnë me ligjet e Allahut dhe zgjedhin nga ajo që e ka zbritur Allahu, Allahu do ta përhap të ligën dhe do të bëjë të përdorni forcën mes jush”.

    O muslimanë, pse nuk po gjykoni me librin e Allahut? Pse nuk po kapeni për traditën dhe udhëzimin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të? A nuk u mor besa nga ju se do të kapeni për Kur’anin dhe të udhëzoheni sipas traditës së Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të?! Atëherë pse ikni në të majtën dhe në të djathtë?! Ju do të bëheni shkak që vendet e juaja të varfërohen dhe të sprovohen me sëmundje dhe me çrregullime! Për këtë arsye kapuni për litarin e Allahut dhe nënshtrojuni ligjeve të Tij dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

    Kurse juve që Allahu ju begatoi me vende ku në to gjykohet me ligjin e Allahut, kapuni për të fortë dhe mos e humbni dhe mos lakoni në të majtën dhe në të djathtën nga kjo rrugë madhështore. Allahu nuk e ndryshon një begati derisa ata e ndryshojnë vetë gjendjen e tyre dhe largohen nga ajo begati.

    O muslimanë, ekspertët botërorë janë të një mendimi se tokat muslimane janë ndër më të pasurat në dynja, në mirësitë e saj dhe në thesaret e saj të brendshme dhe të jashtme dhe në pozitën e tyre gjeostrategjike, mirëpo edhe përskaj këtyre fakteve ato kanë mbetur ndër më të varfrat në mesin e vendeve tjera, e të mos flasim për përhapjen e varfërisë dhe papunësisë në ato shtete. Atëherë pse kjo e tëra?!

    Ky prodhim vjen si shkak i largimit të njerëzve dhe qeverive nga rruga e Islamit, ashtu edhe siç ceket në hadith: “Përderisa udhëheqësit e juaj nuk gjykojnë me ligjet e Allahut, në mesin e juaj do të përhapet varfëria”.

    Le ta dinë të gjithë ata që thirrin në hyrjen e bazave ekonomike perëndimore nëpër tokat muslimane, të cilat baza bien ndesh me mësimet e Kur’anit sa i përket ekonomisë islame, se ata muslimanët janë duke i drejtuar drejt një shkatërrimi të madh, ku përfundimin e saj nuk e di se si do të jetë përveç Allahut.

    Nga belatë më të mëdha dhe nga sherret dominuese është sprova e Umetit me njerëz që muslimanët i nxisin të kapen pas kulturave të huaja e të kota. Ka nga pjesëtarët e këtij Umeti që i mohojnë disa nga dispozitat, kurse disa të tjerë e shohin se duhet të merren vetëm se dispozitat e adhurimeve dhe të largojnë Islamin si sistem gjykimi dhe metodologji jetësore. Me këta njerëz Umeti është dobësuar dhe poshtëruar dhe nënçmuar.

    Patjetër duhet të luftohen këto ideologji dhe patjetër të ketë bashkëpunim mes muslimanëve me qëllim që të dominojnë ligjet dhe dispozitat e Islamit dhe me këtë të shpëtojë umeti nga çdo çrregullim dhe fatkeqësi.

    Shejh Husejn Ali Shejh

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

  • VLERA E MUSLIMANIT

    VLERA E MUSLIMANIT

    O muslimanë! Allahu e krijoi Ademin, alejhi selam, me duart e Veta, dhe i urdhëroi melekët t’i bien në sexhde Ademit. Të gjithë i ranë, përveç Iblisit, i cili refuzoi dhe u tregua kryeneç dhe mendjemadh. Me këtë vepër e meritoi të largohet nga mëshira e Allahut. Nga ligjet e Allahut në krijesat e Tij u bë që ai i cili i nënshtrohet urdhrave të Zotit të tij dhe i pason të dërguarit e Tij, do të fitojë lumturinë e dy botëve. Kurse ai i cili tregohet mendjelartë, dhe bën mëkat dhe nuk i pason të dërguarit e Tij, do të bëhet nga të fatkeqit dhe të shkatërruarit. Allahu thotë: “Nuk janë të barabartë banorët e Xhehenemit dhe banorët e Xhenetit; banorët e Xhenetit do të jenë të fituarit”. (El-Hashr: 20)

    Allahu e ngriti pozitën e muslimanëve, njësuesve të Allahut, dhe i urdhëroi melekët të luten për ta dhe për pasardhësit e tyre, dhe për gratë e tyre. Allahu tha: “Ata (engjëj), që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata lypin falje për besimtarët, duke thënë: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të Zjarrit flakërues. O Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të devotshmit prej prindërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre! Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti”. (El-Gafir: 7-8)

    Çdo i dërguar lutej për besimtarët dhe besimtaret! Nuhi, alejhi selam, tha: “Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret!”. (Nuh: 28) Kurse Allahu i tha Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret!”. (Muhamed: 19)

    Allahu e deshi besimtarin dhe e afroi kah ai: “Allahu i do ata që (i) frikësohen (Atij)”. (Et-Teube: 4) Dhe e përkrahu me ndihmën e Tij: “Është detyra Jonë që t’i ndihmojmë besimtarët”. (Er-Rum: 47) Dhe Allahu është me besimtarët, duke i përkrahur dhe duke i përforcuar: “Kujto (o Muhamed) kur Zoti yt i frymëzoi engjëjt: “Unë jam me ju, andaj forcojini ata që besojnë”. (El-Enfal: 12) Dhe zbriti ushtarë nga qielli për t’ju ndihmuar: “Ju kërkuat ndihmë nga Zoti juaj e Ai ju përgjigj: Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj të cilët do të vijnë njëri pas tjetrit”. (El-Enfal: 9) Begatitë në tokë i shndërroi në ndëshkim për armiqtë e muslimanëve, kështu që e bëri erën t’i sulmon ata: “O besimtarë! Kujtoni dhuntinë e Allahut kur ju erdhi një ushtri (idhujtarësh), e Ne dërguam mbi ata erë dhe një ushtri (engjëjsh) që ju nuk e shihnit”. (El-Ahzab: 9) Allahu është Ai që ua largon brengat dhe i udhëzon në vështirësi: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona”. (El-Ankebut: 69) Allahu është Ai që i ndihmon kundër armiqve të tyre. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush armiqëson një të dashur timin Unë e kam paralajmëruar për luftë”.

    Allahu u bëri muslimanëve që në zemra të kenë dashuri dhe mëshirë: “Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri”. (Merjem 96) Dhe tua përforcon këmbët dhe tua bën të drejta fjalë e tyre dhe tua bashkon zemrat e tyre: “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër”. (Ibrahim: 27)

    Allahu është garantuesi më i mirë se muslimanit do t’ia ruajë pasardhësit, qoftë ajo edhe pas shumë brezave, si shkak i bereqetit të veprave të tij të mira: E, sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt”. (El-Kehf: 82)

    Allahu besimtarit i premtoi jetë të mirë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë”. (En-Nahl: 97)

    Allahu punët e besimtarit i bëri të jenë të bereqetshme, në dynja dhe pas vdekjes së tij: I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Secili musliman që mbjell një fidan (pemë) e prej saj hanë njerëzit, kafshët dhe shpezët, do t’i jetë kjo sadaka deri në Ditën e Gjykimit”.

    Vizitën e një muslimani që ia bën vëllai i tij musliman, e bëri të jetë një ndër adhurimet më madhështore. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush viziton një të sëmurë apo ndonjë vëlla të tij, për hir të Alla­hut, thërret një thirrës: Të lumtë! Lum për ecjen tënde! Ke përgatitur në Xhe­­net një shtëpi!”.

    Zbardhja e mjekrës dhe flokëve të tij janë dritë dhe shkëlqim. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ndaloi shkuljen e qimeve të bardha dhe tha: “Mos i shkulni qimet e thinjura (bardha), sepse çdo muslimani që i zbardhet një qime në Islam, ajo do t’i bëhet dritë në Ditën e Kiametit”.

    Të gjitha gjendjet dhe sprovat e dynjasë, nga pikëllimi e gëzimi, muslimanit ia bëri hajr. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha. “Është e çuditshme puna e besimtarit. Gjithë jeta e tij është hajr. Nëse atij i vjen një e mirë, ai falënderon Zotin dhe merr shpërblim për këtë gjë. Nëse atij i bie një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe përsëri shpërblehet për këtë gjë e kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin”.

    Veprat e mira i shtohen shumëfish, kurse fatkeqësitë e pastrojnë nga gjynahet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha. “Gjithçka që e godet muslimanin, qoftë lodhje, sëmundje, gajle, brengë, cenim apo trishtim, madje qoftë edhe në gjemb që e thumbon, me secilën prej këtyre Allahu ia fal mëkatet.

    Sëmundja e besimtarit është thesar i deponuar për të tek Zoti i tij. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Sëmundja besimtarin e pastron nga gjynahet e tij, ashtu si e pastron zjarri arin dhe argjendin”.

    Sytë e tij nëse humben, janë shpëtim i tij nga zjarri i Xhehenemit. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Thotë Allahu: Kujt ia marr dy më të dashurit (sytë) dhe bën durim, duke shpresuar në shpërblimin Tim, nuk jam i kënaqur që ta shpërblej me asgjë tjetër, vetëm se me Xhenet”.

    Trupi i tij është i pastër, qoftë ai i gjallë apo i vdekur. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Muslimani nuk bëhet i papastër”.

    Asnjë nga bijtë e Ademit nuk lahet pas vdekjes së tyre, përveç muslimanit. Kush e përcjell xhenazen e tij dhe ia fal namazin e tij, derisa të lirohet nga varrimi i tij, kthehet me shpërblime sa dy kirate. Thyerja e eshtrave të tij i vdekur, është si t’ia thyesh ato të gjallë.

    Nga mirësitë e Allahut ndaj tij, është se shpërblimet e tij i shkojnë edhe duke qenë ai në varr: “Kur njeriu vdes, atij i ndërpritet puna, përveç tre gjërave: Lëmosha e vazhdueshme, dija nga e cila përfitohet pas tij, apo fëmija i mirë që lutet për të”.

    Për besimtarin janë përgatitur xhenete: “Xheneti me begatitë e tij është përgatitur për të: “Atë ditë Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm”. (Esh-Shuara: 90)

    Melekët i presin besimtarët tek dyert e Xhenetit, dhe i përshëndesin ata: (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!”. (Er-Ra’d: 23)

    I tërë sherri është i përmbledhur në poshtërimin dhe nënçmimin e vëllait musliman. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Për një njeri është e keqe e mjaftueshme që ta nënçmojë vëllain musliman”. 

    Për hir të shenjtërisë së tij tek Allahu, u urdhërua muslimani që të jetë me shpirt të qetë në jetën e tij, mos të ngatërrohet dhe mos të dëmtojë askënd. Madje çdo gjë që ka gjasa të arrihet dëmi nga ajo, Allahu e ndaloi t’i afrohet apo ta vepron atë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush kalon kah xhamitë apo tregjet tona, e me vete ka shigjetë (apo çfarëdo arme), le t’i mbaje në vendin e tyre ose le ta kape me shuplakën e tij për maje, që me të të mos pengojë ndonjë musliman”.

    Melekët e mallkojnë çdo njeri që i drejtohet muslimanit me hekur. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush ia drejton vëllait të tij armën, atë e mallkojnë melekët derisa të ulë armën edhe nëse e ka vëlla prej babe dhe nëne”.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ndaloi nga çdo gjë që e bën të mërzitshëm muslimanin, dhe tha: “Kur të jeni tre, derisa të përzihen njerëzit mos pëshpëritni ju dy e ta lini anash të tretin, se kjo e pikëllon atë”.

    Nëse ai bie në ndonjë mëkat apo gjynah, fshehja e tij është fshehje për ty Ditën e Kiametit. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush ia mbulon të metat një muslimani, Allahu ia mbulon të metat atij Ditën e Kiametit”.

    Nëse i ngushtohen atij punët dhe i vinë vështirësitë, kush i ndihmon atij, Allahu do t’i ndihmojë në Ditën e Kiametit. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush ia largon besimtarit një brengë të kësaj bote, Allahu do t’ia largojë një brengë të ahiretit”.

    Dëmtimi i tij me gjuhë është e ndaluar. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Vrasja e muslimanit është kufër e sharja-ofendimi i tij mëkat”.

    Mallkimi i tij është e njëjtë si vrasja e tij. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Mallkimi i muslimanit është si vrasja e tij”.

    Kush shpifën ndaj tij pa argument rrahet me tetëdhjetë kamxhik. Kurse ata që i dëmtojnë muslimanët dhe i torturojnë, Allahu u premtoi se do ta marrin ndëshkimin e tyre të merituar: “Pa dyshim, ata që i përndjekin besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me djegie”. (El-Buruxh: 10)

    Pasuria e muslimanit është e mbrojtur, as nuk vidhet, e as nuk merret pa leje, e as që uzurpohet: “Çdo musliman kundruall çdo muslimani e ka haram gjakun e tij, pasurinë e tij, dhe nderin e tij”.

    Kush betohet në Allahun pa të drejtë që t’ia merr vëllait të vet pasurinë, Allahu do ta gjuan në zjarr. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush e ndan një njeri musliman nga e drejta e tij me betimin e tij, vërtet Allahu ia ka siguruar zjarrin e Xhehenemit dhe ia ka ndaluar Xhenetin”. Një njeri tha: “A është kështu edhe nëse është një gjë e vogël o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Qoftë kjo edhe sa një degë (fije) e misvakut”. 

    Pasuria e tij respektohet edhe pas vdekjes së tij. Nuk i lejohet që ta merr atë askush, përveç se atyre që e trashëgojnë sipas rregullave fetare, dhe që janë musliman. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Nuk trashëgon muslimani jomuslimanin, dhe jomuslimani muslimanin”.

    Gjaku i muslimanit tek Allahu është shumë i shenjtë. Ai është gjëja e parë që do të llogaritet njeriu sa i përket zënkave dhe mospajtimeve. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Gjëja e parë që do të llogariten krijesat në Ditën e Kiametit është gjaku”.

    Gjaku i muslimanit është më i shtrenjti tek Allahu. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Me të vërtetë zhdukja e dynjasë është më e lehtë për Allahun sesa vrasja padrejtësisht e besimtarit, nëse në vrasjen e tij do të kishin marrë pjesë banorët e qiejve dhe të tokës, Allahu do t’i dënonte me zjarrin e Xhehenemit.”

    Një dijetar thotë: “Ai që tenton ta vret atë për të cilën është krijuar toka për hir të tij, vetëm se ka tentuar ta zhduk dynjanë”.

    Vrasja e një shpirti të muslimanit llogaritet vrasje e tërë njerëzimit. Allahu thotë. “Kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve”. (El-Maide: 32)

    Gjaku i muslimanit nuk lejohet vetëm se në tri raste. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Nuk lejohet derdhja e gjakut të muslimanit përveçse me një nga tre gjëra: i martuari që bën kurvëri, vrasësi dhe felëshuesi që përçan komunitetin”.

    Derdhja e gjakut të muslimanit e detyron mallkimin dhe zemërimin e Allahut. Allahu thotë: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh”. (En-Nisa: 93)

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ka mëkat më të madh pas kufrit, sesa vrasja e një shpirti pa të drejtë”.

    O muslimanë, edhe përskaj pozitës së lartë që e kanë muslimanët, njësues të Allahut, tek Allahu, prapë se prapë gjaku i tyre derdhet nëpër shtete të ndryshme, ditën e natën, haptazi e fshehurazi. Njeriu gdhihet i frikuar, kurse e arrin mbrëmja të lënduar. Bie i pikëlluar dhe gdhihet i vrarë. I merren pasuritë, i uzurpohen pronat, i shkatërrohen mirësitë, i vriten pasardhësit e tij, gratë u mbeten pa burra, e fëmijët u bëhen jetimë, sëmuret i shëndoshi, varfërohet i pasuri, robërohet i liri, nënçmohet i ndershmi, ndryshohen ligjet dhe shkatërrohen simbolet fetare.

    Vinë lajme të njëpasnjëshme nga derdhjet e gjakut në mesin e muslimanëve. Le ta ndërpresin gjakderdhjen dhe le t’i largohen padrejtësisë dhe le t’i kthehen burimit të pastër të drejtësisë dhe Islamit, dhe le të punojnë me porosinë e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili tha: “Mos u ktheni pas meje në femohues, e t’ia preni qafën njëri-tjetrit”.

    Jetuan jomuslimanët nën flamurin e muslimanëve, edhe atë një periudhë të gjatë, edhe atë me siguri dhe paqe dhe me të drejta të garantuara, pa vrasje dhe pa padrejtësi. Pse të mos përhapet siguria dhe mirësia tek popujt e muslimanëve që ta adhurojnë Zotin e tyre në rehati dhe ashtu si i urdhëroi Ai?!

    Allahu e din shumë mirë se kush bën padrejtësi, dhe atij ia jep atë që e meriton, dhe do t’i ndihmojë të dobëtit nëse ata i drejtohen me lutje dhe mbështetje Atij.

    Allahu thotë: “Vërtet, ndëshkimi i Zotit tënd është i ashpër!”. (El-Buruxh: 12)

    Shejh Dr. Abdulmuhsin El Kasim

  • DUAJA DHE DOBITË E SAJ

    DUAJA DHE DOBITË E SAJ

    O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe dijeni se duaja është një ndër adhurimet më madhështore.

    Numan ibën Beshiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell nga i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: Duaja është adhurim, dhe pastaj e lexoi fjalën e Allahut: Zoti juaj ka thënë: Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar. (El-Gafir: 60)

    Allahu i Madhëruar urdhëroi në shumë ajete, që robi t’i lutet vetëm Atij dhe premtoi se do të përgjigjet lutjes së tij dhe po ashtu i lavdëroi të dërguarit dhe lajmëtarët e Tij: Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjain, duke ia bërë gruan të aftë (për lindje). Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe Na luteshin, me shpresë e frikë dhe ishin të përulur ndaj Nesh. (El-Enbija: 90)

    I Lartësuari dhe i Madhërishmi na lajmëroi se është afër nesh, i përgjigjet lutjes së lutësit kur ai i lutet, dhe tha: Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.(El-Bekare: 186)

    I Lartësuari dhe i Madhërishmi po ashtu urdhëroi t’i lutemi Atij me përulje të vërtetë, e sidomos gjatë vështirësive dhe sprovave, dhe na lajmëroi se nevojtarit nuk i vjen në ndihmë për t’ia larguar të keqen, përveç se Allahut: A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?!. (En-Neml: 62)

    I qortoi rreptë ata që nuk i luten Atij, kur u zbresin atyre sprova e fatkeqësi, dhe tha: Sa herë që çonim të dërguar në ndonjë vendbanim, Ne i dënonim banorët e tij me skamje dhe sëmundje, në mënyrë që të përuleshin. (El-A’raf: 94) dhe Ne iu kemi dërguar shumë popujve profetë para teje dhe i kemi dënuar ata me skamje dhe fatkeqësi, për t’u bërë të dëgjueshëm. Vetëm sikur të përuleshin kur u erdhi ndëshkimi Ynë! Por zemrat e tyre u bënë gur, ndërsa djalli ua paraqiste si të bukura veprat e tyre të këqija. (En-En’am: 42-43)

    E gjithë kjo vjen nga mëshira dhe bujaria e Tij. Ai edhe pse nuk është nevojtar për njerëzit, i urdhëron që t’i luten Atij, për arsye se ata janë nevojtarë për Të: O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd. (Fatir: 15) dhe Allahu është i Pasur (s’ka nevojë për asgjë), ndërsa ju jeni të varfër. (Muhamed: 38)

    Me një hadith të shenjtë përcillet: O robërit e mi, të gjithë ju jeni të humbur përveç atyre që Unë i kam udhëzuar, pra kërkoni udhëzimin nga Unë dhe Unë do t’ju udhëzoj! O robërit e mi, të gjithë ju jeni të uritur, përveç atyre që i kam ushqyer Unë, pra kërkoni t’ju ushqej dhe Unë do t’ju ushqej! O robërit e mi, të gjithë ju jeni të zhveshur, përveç atyre që Unë i kam veshur, pra kërkoni veshjen Time dhe Unë do t’ju vesh! O robërit e mi, ju bëni mëkate natë e ditë, e Unë i shlyej të gjitha mëkatet, pra kërkoni nga Unë falje dhe Unë do t’ju fal!” .

    O robër të Allahut, lutjuni Allahut dhe dijeni se për t’u pranuar një lutje ka kushte që duhet patjetër të plotësohen. Allahu premtoi se do t’i përgjigjet lutjes së lutësit dhe Allahu nuk e shkel premtimin e Tij, mirëpo pengesat për t’u pranuar një lutje vijnë nga ana e vetë robit.

    Nga pengesat e pranimi të lutjes është:

    1. Mosrespektimi i njeriut ndaj detyrimeve të Allahut dhe veprimi i mëkateve dhe tejkalimi i kufijve të Allahut.

    Allahu i Madhëruar thotë: Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe I padëgjueshëm dhe ngatërrestar?!. (Junus: 92)

    1. Ngrënia e pasurisë haram, haja dhe pija dhe veshja me haram. Kjo është nga pengesat më të mëdha të pranimit të lutjeve dhe duave.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Pastaj e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura e të pluhurosura dhe i cili i shtriu duart e tij kah qielli: O Zot, o Zot! Kurse ushqimi i tij është haram, e pija e tij haram, veshmbathja e tij haram dhe është ushqyer me haram. E si do t’i pranohet lutja e tij!” .

    Pra i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ka përmendur se kënaqësia me haram qoftë ajo me haje apo pije apo veshje, është një nga pengesat më të mëdha të pranimit të duasë. Në një hadith tjetër ka ardhur: “Ushqehu me hallall, do t’ju pranohen duatë” .

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij ez-Zuhdthotë: Bijtë e Israilit u sprovuan me sprovë dhe dolën me një vend t’i luten Allahut me qëllim që t’ua largojë atë sprovë. Allahu i shpalli të Dërguarit të Tij, i cili gjendej në mesin e tyre, t’i lajmërojë se ju jeni duke dalë me trupat e juaja të fëlliqura, i ngritni duart e juaja të cilat janë të përlyera me gjak, i keni mbushur shtëpitë e juaja me harame dhe tani nëse shtohet zemërimi Im ndaj jush, nuk do t’ju sjell asgjë tjetër përveç se largim nga Unë.

    O ju njerëz, për këtë arsye jeni të kujdesshëm për vetveten e juaj dhe shikoni se nga i fitoni të hollat dhe nga ushqeheni dhe nga pini dhe nga visheni, me qëllim që Allahu t’ua pranojë lutjet e juaja.

    1. Mospasja e sinqeritetit në lutje, pra lutja duhet të jetë vetëm se për Allahun.

    Allahu i Madhëruar thotë: Andaj, lutjuni Allahut me adhurim të sinqertë për Të, edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët!. (El-Gafir: 14) dhe prandaj mos iu lutni askujt, krahas Allahut!. (El-Xhin: 18)

    Ata që i luten dikujt tjetër e jo Allahut, apo me Allahun i luten edhe tjetrit, si idhujve, varreve, të vdekurve nëpër teqe, përmendoreve, etj., Allahu nuk ua pranon lutjet e tyre. Këta njerëz janë të larguar nga Allahu dhe e kanë ndërprerë lidhjen mes tyre dhe mes Allahut. Ky lloj i njerëzve janë vetë meritor që kur të bien në vështirësi dhe t’i drejtohen me lutje Zotit të tyre, ato mos t’u pranohen.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Njihe Zotin tënd në rehati që të njeh Ai në vështirësi” . Do të thotë se çdo rob nëse i frikohet Allahut, i ruan kufijtë e Tij, dhe përkujdeset për të drejtat e Tij në gjendje rehatie, me këtë e ka njohur Zotin e tij dhe e ka formuar një lidhje të posaçme mes tij dhe mes Zotit të tij. Kur do jetë robi në gjendje vështirësie, atëherë Zoti i tij do ta njeh ashtu si e njihte robi Atë ne gjendje rehatie, dhe do t’i ndihmojë që t’ia largojë brengat dhe problemet e tij.

    Me një hadith të shenjtë ka ardhur: Ai vazhdon të më afrohet edhe më tepër me anë të veprave vullnetare, që e shton edhe më tepër dashurinë Time ndaj tij, e kështu Unë filloj ta dua atë, e kur e dua, atëherë bëhem veshi me të cilin dëgjon, syri me të cilin sheh, dora me të cilën bie dhe këmba e tij me të cilën ecë. Nëse ky rob kërkon diçka prej meje, Unë me siguri do t’ia jap, nëse kërkon strehimin Tim, vërtet Unë do ta strehoj atë. Unë nuk nguroj për asgjë më tepër se në marrjen e shpirtit të robit Tim fisnik: ai e urren vdekjen, e Unë e urrej lëndimin e tij” .

    Pra, kush sillet ndaj Allahut me devotshmëri dhe adhurim në gjendje rehatie, Allahu do të sillet me të me butësi dhe me ndihmë në gjendje vështirësie, ashtu siç e rrëfen Allahu rastin e Junusit, alejhi selam, kur e gëlltiti balena: dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes. (Junus: 143-144) D.m.th., po të mos kishte qenë Junusi në gjendje rehatie adhurues i Allahut dhe mos falës i namazit dhe po të mos kishte bërë vepra të mira, atëherë: me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes. (Junus: 144) Disa nga të parët tanë thanë: Përmende Allahun në rehati që Allahu të të përmend në vështirësi.

    Le ta dinë të gjithë ata që e kanë bindjen se njerëzit nëpër varre apo njerëzit e mirë, kanë mundësi të ndërmjetësojnë mes lutjeve të tyre dhe mes Allahut, se ato nuk ju pranohen. Allahu nuk ka nevojë për ndërmjetësues, po Ai na ka urdhëruar që t’i lutemi në mënyrë direkte pa ndërmjetësimin e askujt: Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. (El-Bekare: 186) Për këtë arsye jeni të kujdesshëm nga lutjet e shpikura dhe të ndaluara që janë të shpërndara sot në mesin e muslimanëve.

    1. Neglizhenca dhe moskujdesja gjatë lutjes. Kjo është një nga arsyet e mospranimit të lutjes.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Lutjuni Allahut duke qenë të bindur se Ai do t’ju përgjigjet. Dhe ta dini se Allahu nuk i përgjigjet lutjes që i bëhet nga një zemër e hutuar” .

    1. Lënia e thirrjes në të mirë dhe ndalimit nga e keqja.

    Hudhejfe ibën Jeman, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Pasha Atë ku shpirti im është në Dorën e Tij, do të thirrni në të mirë dhe do të ndaloni nga e keqja ose do të jeni shumë afër që Allahu t’ju dërgon mbi ju dënime, e pastaj t’i luteni dhe mos t’i pranojë lutjet e juaja” .

    Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Duaja është arma e besimtarit dhe shtylla e fesë dhe drita e qiejve dhe tokës” .

    Po ashtu me një hadith tjetër ka ardhur: “Duaja bën dobi edhe atëherë kur ju zbret diçka dhe kur nuk ju zbret diçka. O ju robërit e Allahu, për këtë arsye kapuni për duanë” .

    O robër të Allahut, frikojuni Allahut dhe jeni të përpiktë në lutjet e juaja dhe kërkoni nga Zoti i juaj me përpikëri që t’jua pranojë ato. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Allahu i do ata që janë të përpiktë në lutjet e tyre” .

    Duaja është një nga adhurimet më madhështore, për arsye se ajo aludon në modesti për Allahun dhe për nevojë për Allahun, zbutje të zemrës dhe dëshirë për atë që gjendet tek Ai dhe frikë nga Ai, kurse lënia e duasë aludon në mendjemadhësi dhe zemër ngurtësi dhe largim nga Allahu.

    Kjo është një nga shkaqet e futjes së njeriut në Xhehenem, ashtu siç e cek edhe Allahu: Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar. (El-Gafir: 60)

    Sikurse lutja e Allahut është shkak edhe për hyrjen në Xhenet: Ata do të afrohen, duke biseduar me njëri-tjetrin e duke thënë: Më parë, Ne kemi pasur frikë në familjet tona (nga gjykimi i Allahut), por, Allahu na ka dhuruar mëshirë dhe na ka ruajtur nga era përcëlluese (e Zjarrit). Ne qysh më parë i jemi falur Atij. Ai është vërtet Bamirës dhe Mëshirëplotë. (Et-Tur: 25-28)

    O muslimanë, për këtë arsye luteni Allahun sa më tepër dhe shpeshtoni lutjet e juaja dhe tentoni që ato të jenë të sinqerta për Allahun. Lutjet janë arma më e fortë e besimtarit në kohën e sprovave, e sidomos këto ditë ku muslimanët sprovohen në fenë e tyre, në besimin e tyre, në dijetarët e tyre dhe në thirrësit e tyre.

    Allahu i Madhëruar thotë: Lutjuni Zotit tuaj përulshëm dhe ngadalë! Njëmend, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin. Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë rregulli, ndërsa Atij lutjuni me frikë dhe shpresë. Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve. (El-A’raf: 55-56)

    Shejh Dr. Abdulmuhsin El Kasim

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • RREZIKU I PIJEVE ALKOOLIKE DHE NARKOTIKËVE

    RREZIKU I PIJEVE ALKOOLIKE DHE NARKOTIKËVE

    O ju njerëz, frikojuni dhe falënderoni Allahun i cili e nderoi njeriun nga krijesat tjera ashtu siç e përmend edhe në Librin e Tij: Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar”. (El-Isra: 70)

    Nga ajo që e nderoi Allahu njeriun është mendja. Ajo e bën të dallohet nga kafshët dhe ia mundëson të dallojë mes të mirës dhe të keqes dhe të dëmshmes dhe të dobishmes. Njeriu nëse e humb mendjen atëherë nuk do të ketë dallim mes tij dhe kafshës. Madje, kafsha do të jetë në një gjendje më të mirë se sa njeriu për arsye se nga kafsha ka mundësi të përfitohet diçka kurse nga njeriu i cili e humb mendjen e tij nuk ka mundësi të përfitohet asgjë. Me mendje njeriu i mediton argumentet e Allahut dhe me mendje shpik dhe zbulon dhe prodhojë.

    Mendja është ajo e cila e nxit njeriun të stoliset me gjëra të mira dhe të largohet nga ato të ligat, të bën mirë dhe të largohet nga bërja e dëmit. Allahu i qortoi ata që nuk mendojnë dhe i gradoi në një gradë më të ulët se atë të kafshëve dhe tha: “A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër, veçse si bagëti. Madje, ata janë edhe më të shmangur nga rruga e drejtë”. (El-Furkan: 44)

    Allahu ndaloi nga përdorimi i gjërave që e dëmtojnë mendjen dhe caktoj kufij dhe dënime për ata që i tejkalojnë ato. Mendja është një nga pesë gjërat e patjetërsueshme në të cilën janë unik të gjitha fetë qiellore se ajo duhet të ruhet, për arsye se me ruajtjen e saj mbrohen edhe dobitë dhe interesat njerëzore. Ai që e ka të humbur mendjen e dëmton veten duke e futur në rrezik dhe duke e sulmuar tjetrin e me këtë e rrezikon edhe sigurinë e shoqërisë dhe në të frikë dhe terror. Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?”. (El-Maide 90: 91)

    Allahu i qartësoi dëmet e alkoolit dhe të gjërave tjera të cekura në ajet se ato janë nga veprat e ndyra të shejtanit, se ajo shkakton në shoqëri çorodi dhe armiqësi dhe urrejtje mes anëtarëve të saj dhe i largon nga përmendja e Allahut, ku nëpërmjet saj ngjallen zemrat, dhe i largon nga falja e namazit, që largon nga e liga dhe imoraliteti. Të gjitha këto janë dëme të mëdha dhe rreziqe të shumta.

    Alkool konsiderohet çdo gjë e cila e mbulon apo e deh trurin pa marr parasysh se nga çfarë lënde është prodhuar dhe me çfarë emri e kanë emërtuar. Përcillet me një hadith se do të vijë një kohë kur njerëzit do ta emërtojnë me emra të tjerë mirëpo emrat nuk e ndryshojnë realitetin. E njëjtë me alkoolin apo më mirë të themi se më e rrezikshme se alkooli është çdo gjë që e dobëson dhe e vyshk trupin e njeriut dhe ia dëmton shqisat. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka ndaluar nga çdo gjë që e deh trurin dhe e dobëson trupin.

    O muslimanë, armiqtë juaj gjithmonë planifikojnë shkatërrimin e juaj dhe dëmtimin e juaj nëpërmjet çdo mjeti, ashtu siç edhe Allahu e cek në Kur’an: “Ata dëshirojnë që të vuani. Urrejtja shfaqet në gjithçka që del prej gojës së tyre, kurse ajo që fshehin në zemrën e tyre, është edhe më e madhe”. (Ali Imran: 118)

    Nga planifikimet më të fëlliqura të tyre dhe nga armët më të rrezikshme që i përdorin në këtë kohë është arma e narkotikëve. Ata i mbjellin narkotikët dhe i prodhojnë dhe i eksportojnë në vendet e juaja dhe i përhapin në mesin e juaj në mënyra të llojllojshme dhe të fshehta, duke e ndihmuar përhapjen e saj shejtanët njerëz nga tregtarët e shkatërrimit të cilët i shesin këto narkotik në vendet dhe shtëpitë e muslimanëve. Ata, përhapësit e narkotikëve, e meritojnë dënimin më të rreptë për arsye se përhapin nëpër tokë shkatërrim dhe dëm dhe detyrohet çdo njëri që i njeh t’i lajmërojë në organet kompetente që të mbrohen nga sherri i tyre. Kjo është nga bashkëpunimi në mirësi dhe devotshmëri dhe nuk lejohet mbrojtja e tyre dhe ndërmjetësimi për ta.

    O muslimanë, narkotikët janë më të rrezikshme se sa alkooli për arsye se ato e shkatërrojnë mendjen dhe karakterin dhe ia humb xhelozinë njeriut. Të përbashkët me alkoolin e kanë dehjen kurse dëmet i ka më të mëdha se sa ajo. Disa nga dijetarët i kanë cekur se në të janë njëqind e njëzet dëme në fe dhe dynja.

    Nga dëmet e narkotikëve në fe janë: Ajo e largon njeriun nga përmendja e Allahut, ia humb turpin dhe moralin dhe shkakton lënien e namazit dhe bërjen e mëkateve.

    Nga dëmet e saj trupore janë: Ajo e dëmton trurin, shkakton sëmundje të ndryshme, e djeg gjakun, e ngushton shpirtin, e dëmton mëlçinë, e dobëson të shikimin, jep vesvese dhe i dobëson ambiciet, e dëmton sistemin nervor dhe shkakton çmenduri, etj.

    Narkotikët pra, janë arma më e fortë të cilën e përdorin armiqtë për ta shkatërruar një shoqëri njerëzore. Ato janë një ndër rreziqet më të mëdha të cilat i kanosen shoqërive me shkatërrim dhe zhdukje e mos të flasim për sëmundjet ngjitëse të cilat vijnë si rezultat i saj.

    Përhapësit e saj me qëllim të fshehjes së saj përdorin metoda të llojllojshme duke ia ndryshuar pamjen, formën dhe emrin me qëllim që të mos dallohet se është narkotik dhe tentojnë që atë ta përhapin në mesin e njerëzve. Prandaj mos i lejoni fëmijët e juaj të shoqërohen me njerëz të tillë dhe kujdesuni për edukimin e tyre në mënyrë të drejtë dhe mësojani rrezikun e saj dhe dëmet që i shkakton në shoqëri.

    O muslimanë, i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e mallkoi atë që e pi alkoolin, atë që e prodhon, që e përhap dhe që e ndihmon përhapjen e tij dhe lajmëroi se ai që është dhënë pas alkoolit është si adhuruesi i idhujve. Ai që e bën hallall duke qenë i vetëdijshëm për ndalesën e tij bën kufër, kurse ai që e pi duke e pasur bindjen se ai është i ndaluar konsiderohet si veprues i një mëkati të madh dhe nga ai kërkohet pendim i sinqertë.

    Nuk lejohet përdorimi i tij për kënaqësi apo për shërim. Kur u pyet i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për alkoolin i cili përdoret si ilaç tha: “Ai është sëmundje e nuk është ilaç”.

    Njerëzit sot shpesh arsyetohen se e përdorin për ilaç apo se mjeku u ka preferuar ta përdorin për shërim, por arsyetimi i tyre nuk pranohet aspak dhe ata i bëjnë gjynah Allahut pa të drejtë. Për çdo sëmundje ka zbritur ilaç i lejuar dhe për këtë arsye nuk ka nevojë që ai të kërkohet aty ku Allahu nuk është i kënaqur me ne.

    Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

     

  • PUSHIMET DHE UDHËTIMET

    PUSHIMET DHE UDHËTIMET

    1. Njeriu përgjatë jetës së tij kalon nëpër stacione të ndryshme, ku disa nga to ndërtojnë e disa nga to shkatërrojnë, disa nga to janë shkak për lumturi e disa nga to janë rrugë për mërzi, disa nga to për nga kohëzgjatja janë të shkurtra sikurse të jenë disa orë e disa nga to të gjata sikurse të jenë vite.

    Pavarësisht gjithë kësaj, e vërteta është se të gjitha llojet e stacioneve do të kalojnë dhe ajo që mbetet janë punët e njeriut që i punoi.

    1. Koha për njeriun në realitet është jeta e tij dhe koka e kapitalit të tij, ashtu siç Hasan el Basrij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “O biri Ademit! Ti nuk je asgjë më tepër se një grumbull ditësh. Me kalimin e një dite, kalon edhe një pjesë e jotja.”[1]
    2. Koha e njeriut mund të bëhet shkak për lumturinë e tij apo për pikëllimin e tij në të dyja botët, prandaj çdo kohë e njeriut që është për Allahun dhe me Allahun, ajo është jeta e tij, ndërsa koha e njeriut që nuk është për Allahun dhe me Allahun, nuk llogaritet nga jeta e tij.

    Kush e kalon kohën në shkujdesje, pakujdesi dhe shpresa të kota dhe kohën më të mirë që e kalon është në gjumë dhe papunësi, vdekja për të është më e mirë sesa jeta e tij.”[2]

    1. Ibën El Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Kujt Allahu ia do hairin, e ndihmon me kohën dhe kohën e bën në favor të tij. Kujt Allahu ia do sherrin, kohën ia bën kundër tij dhe në disfavor të tij dhe çdoherë kur dëshiron të përgatitet për rrugëtim, kohën nuk e ka në përkrahje të tij. Kurse tek i pari, çdoherë që vetvetja mundohet ta ulë, koha e ngre dhe e ndihmon atë.”[3]

    Prandaj, kërko ndihmë prej Allahut që të ta ruajë kohën dhe ta shfrytëzosh në atë që të bën dobi dhe mbështetju Allahut, shpeshtoji lutjet dhe përuljen para Tij, sepse të gjitha çështjet janë në Dorën e Allahut. Nuk ka kush e ndalon atë që Ai e jep dhe nuk ka kush e jep atë që Ai e ndalon.

    1. Shfrytëzimi i kohës së lirë dhe përdorimi i saj në punë të mira është ndër begatitë themelore të Allahut për robin. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Në dy begati janë të mashtruar[4] shumica e njerëzve, e ato janë shëndeti dhe koha e lirë.”[5]

    Shëndeti dhe koha e lirë janë kapitali i njeriut dhe fjala e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “të mashtruar shumica e njerëzve” aludon se atyre që u jepet mbarësi në to janë pak.

    Njeriu mund të ketë shëndet, mirëpo të mos jetë i lirë për adhurim shkaku i angazhimit të tij me shkaqet e jetesës, mund të jetë i lirë dhe pa angazhime, mirëpo të mos ketë shëndet, e kur këto dy begati gjenden dhe bashkohen te një njeri dhe pastaj tek ai mbizotëron përtacia në adhurim, ai me të vërtetë është i mashtruar dhe i humbur, duke e marrë parasysh faktin që jeta është e shkurtër dhe pengesat në rrugën e adhurimit janë të shumta.[6]

    1. Sheriati motivon që koha e lirë të shfrytëzohet në favor të njeriut. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Shfrytëzoji pesë gjëra para pesë të tjerave: rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para angazhimit dhe jetën para se të vijë vdekja.”[7]

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, qartësoi se secili njeri në Ditën e Kiametit do të merret në llogari për kohën e tij, se çfarë punoi në të dhe tha: “Nuk do të lëvizë këmba e asnjë birit të Ademit në Ditën e Kiametit prej te Zoti i tij, derisa të mos pyetet për pesë gjëra: për jetën e tij se si e kaloi, për rininë e tij se si e shfrytëzoi, për pasurinë e tij se prej ku e fitoi dhe ku e harxhoi, dhe se çfarë veproi me atë që e mësoi.”[8]

    Koha është e shtrenjtë përderisa kujdesesh për të ….. dhe po e shoh se koha më së lehti po të humb.

    1. Nga përsosuria dhe madhështia e fesë islame është se legjislacioni i saj i përfshin të gjitha sferat e jetës. Islami është rrugë dhe metodologji e plotë dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha fushat e jetës njerëzore, është fe e vlefshme për çdo kohë dhe çdo vend, që garanton dhe siguron çdo gjë që është në të mirën dhe lumturinë e njerëzve në dynja dhe ahiret, është fe që përputhet me natyrshmërinë e shëndoshë të njeriut, ashtu siç Allahu thotë: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit…” (Er-Rum: 30)

    Islami është fe e lehtësimit dhe tolerancës, mesatares dhe ekuilibrit, realitetit dhe shëmbëlltyrës. Allahu thotë: “Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” (El-Bekare: 185)

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Jam dërguar me fenë e pastër monoteiste tolerante.”[9]

    1. Nga lehtësimi dhe toleranca e fesë islame është se njerëzve ua zgjeroi të lejuarën dhe nuk ua vështirësoi duke e ngushtuar atë.

    Allahu neve na i lejoi gjërat e mira dhe tha: “…do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat…” (El-Earaf: 157). Sheriati nuk e ceku hollësisht çdo të mirë dhe të lejuar, sepse ato në numër janë shumë dhe nuk mund të përkufizohen. Në esencë për sa u përket gjërave, është rregull që çdo gjë është e lejuar derisa të vijë argumenti se ajo gjë është e ndaluar, kurse te ndalesat është e kundërta, ato janë përmendur hollësisht, shkaku se numri i tyre është i përkufizuar dhe me qëllim që ato më mirë të njihen dhe të largohen: “Ai tashmë jua ka shpjeguar ç’është e ndaluar, përveçse kur jeni në shtrëngesë?!” (El-Enam: 119)

    Allahu i qortoi ata që i pengojnë dhe i ndalojnë gjërat të cilat Ai i krijoi për robërit e Vet, dhe tha: “Thuaj: Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?” (El-Earaf: 32).

    1. E ligjshme është për një mysliman që ta relaksojë veten në kufijtë e të së lejuarës, me udhëtime dhe shëtitje, pushime dhe dëfrim të lejuar dhe kështu të gëzojë veten, familjen dhe fëmijët e tij, t’i arrijë kënaqësitë e lejuara nëpërmjet mjeteve të lejuara dhe duke e realizuar në këtë mënyrë baraspeshën në mes anëve të ndryshme njerëzore, duke e larguar mërzinë dhe lodhjen, duke e ripërtërirë ambicien dhe aktivitetin.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha Handhales, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “…mirëpo o Handhale, orë pas ore![10]” [11]

    Për qëllim është se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e porositi Handhalen që ta ndajë kohën e tij, një pjesë për adhurim dhe pjesëmarrje në xhami për të marrë dije dhe një pjesë për pushim dhe qetësim, që shpirti të mos mërzitet dhe të mos ndiejë lodhje nga adhurimi.

    Prandaj, gjatë tërë kohës kur jeni të pranishëm në xhami jepjani hakun Zotit tuaj, dhe gjatë kohës kur pushoni jepjani hakun vetes suaj.[12]

    Hadithi nuk e ka për qëllim atë që e mendojnë disa njerëz, se një orë për Zotin tënd në adhurim, një orë për zemrën tënde për të bërë mëkate, apo një orë në hallall e tjetrën në haram!

    Kuptimi i hadithit është që myslimani duhet t’ia japë vetes hakun me relaksim dhe me pushim në kufijtë e të së lejuarës dhe mos të jetë e tërë dita dhe nata e tij vazhdimisht në adhurim dhe prezentim në xhami, sepse këtë tempo nuk mund ta durojë asnjëri, por një të kohës së tij e bën për pushim, që shpirti të mos mërzitet dhe të mos ndiejë lodhje nga adhurimi.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha Abdullah ibën Amru ibën El-Asit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Dëgjova se çdo ditë po agjëron dhe çdo natë po fal namaz nate.” Tha: “Po”. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Nëse ashtu vazhdon, sytë do të të lodhen (nga pagjumësia) dhe trupi do të të ligësohet. Nuk ka agjëruar ai që agjëron tërë kohën. Agjërimi i tri ditëve është agjërim i tërë kohës.”[13]

    Dhe po ashtu Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Agjëro dhe ha, falu natën dhe fli, sepse ke hak ndaj trupit tënd, ke hak ndaj syrit tënd, ke hak ndaj gruas sate dhe ke hak ndaj mysafirit tënd.”[14]

    Selman el-Farisij i tha Ebu Derdas, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre: “Zotit i ke hak, vetes i ke hak dhe familjes i ke hak, prandaj jepja çdonjërit hakun e vet që e meriton”; dhe Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ia pohoi dhe ia vërtetoi fjalët e tij duke thënë: “Të vërtetën e ka thënë Selmani.”[15]

    1. Përcillet për këto fjalë se janë nga urtësia e familjes së Davudit, alejhi selam: “E ka hak i mençuri të mos i neglizhojë katër orë: orën ku në të i lutet Zotit, orën ku në të e llogarit veten, orën ku në të shkon te vëllezërit e tij myslimanë dhe e lajmërojnë për të metat e tij dhe ia thonë të vërtetën për veten e tij dhe orën ku në të ia lejon vetes të bëjë çfarë të dëshirojë në atë që është hallall dhe e bukur. Kjo orë e fundit është përkrahje dhe ndihmë për orët e para dhe çlodhje për zemrat.”[16]

    Përcillet nga Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të ketë thënë: “Pushoni zemrat tuaja për një kohë, sepse kur ato lodhen verbërohen.”[17]

    Bekr ibën Abdullah thoshte: “Shokët e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, loznin njëri me tjetrin duke u gjuajtur me lëvore të shalqirit, mirëpo kur ishte nevoja për ta, atëherë bëheshin burra.”[18]

    1. Pushimi dhe relaksimi i vetes në suaza të hallallit është i lejuar, por myslimani nuk duhet të harrojë se kjo për të është mjet e jo qëllim dhe synim, sepse esenca në jetën e myslimanit është përpjekja dhe ambicia e lartë dhe ngritja në gradat e përsosjes. Prandaj, nuk është e hijshme për një mysliman të lidhet me mjetet e relaksimit dhe pushimit, saqë ato të bëhen puna e tij kryesore që e preokupojnë, sepse pushimi, loja dhe dëfrimi, nuk lejohet që t’ia marrin myslimanit kohën në tërësi apo një pjesë të madhe të saj. Njeriu nuk është krijuar për pushim dhe lojë, madje ekziston rreziku që relaksimi dhe pushimi të bëhen pengesë dhe preokupim për njeriun që ta përmendë Allahun dhe ta falë namazin, t’i zbatojë detyrimet që bien mbi të, fetare dhe ato të dynjasë dhe të bjerë në mëkat.
    2. Ajo që është bërë zakon te njerëzit, që gjatë kohës së pushimeve dhe të ngjashme me to, të dalin në shkretëtirë apo det, me qëllim dëfrimi dhe relaksimi, është çështje e lejuar, madje mund të bëhet e pëlqyer, nëse i bashkëngjitet nijeti i mirë. E bën nijetin që me daljen e tij ta relaksojë veten dhe familjen, të ripërtërijë aktivitetin dhe të forcohet për adhurim, ta largojë lodhjen dhe mërzinë, që shpirti të mos e ndiejë për adhurim. Po ashtu e bën nijetin që ta gëzojë familjen dhe fëmijët e tij dhe të meditojë atë që e krijoi Allahu nga shenjat e shkretëtirës, detit, tokës dhe qiellit etj.
    3. Jeta e myslimanit e tëra është për Allahun, kur është serioz dhe kur bën shaka, kur punon dhe kur pushon, kur fle dhe kur është i zgjuar, kur udhëton dhe kur është vendas. Allahu thotë: “Thuaj: Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”. (El-Enam: 162-163)

    Nëpërmjet nijetit të mirë myslimani gjërat e lejuara i shndërron në adhurim. Ai nuk lejon që t’i ikën një orë nga jeta e tij pa ndonjë dobi, adetet e tij të përditshme dhe punët e tij që janë të lejuara, si ushqimi, pija, gjumi, ecja, i shndërron në adhurim, duke e bërë nijetin që nëpërmjet këtyre punëve të lejuara të forcohet dhe të fitojë energji për adhurim dhe ripërtëritje të aktivitetit. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Veprat shpërblehen sipas nijetit dhe çdonjëri e merr shpërblimin sipas asaj që e ka bërë nijet…”[19]

    Nëse myslimani për gjumin që e bën shpreson shpërblim tek Allahu dhe e bën me nijet që nëpërmjet gjumit të forcohet për adhurime dhe të pushojë për ta ripërtërirë aktivitetin e trupit që të marrë fuqi për adhurim, në këtë rast gjumi shndërrohet në adhurim dhe nënshtrim, ashtu siç Muadh ibën Xhebel i tha Ebu Musa El Eshariut, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre: “Unë flej në pjesën e parë të natës dhe pasi e bëj pjesën e caktuar të gjumit, zgjohem dhe lexoj nga ajo që Allahu e përcaktoi për mua. Për gjumin që e bëj shpresoj shpërblim tek Allahu ashtu siç shpresoj shpërblim për ngritjen nga gjumi.”[20]

    Përcillet për Ebu Derda, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se tha: “Unë e relaksoj veten me diçka nga loja dhe dëfrimi dhe kjo mua më ndihmon për në të vërtetën.”[21]

    1. Nga edukata e udhëtimit është që udhëtari t’i mësojë rregullat që ndërlidhen me udhëtimin dhe të mos bjerë në diçka të ndaluar apo të pakësojë gjë nga detyrimet. Pra, duhet t’i mësojë rregullat e shkurtimit dhe të bashkimit të namazit kur është në udhëtim, rregullat e tejemumit dhe marrjes së mesteve dhe të ngjashme me to e, nëse udhëton për gjueti, atëherë duhet t’i mësojë rregullat dhe edukatën e gjuetisë dhe therjes, kohën kur gjuetia lejohet dhe kur ndalohet etj.
    2. Nga edukata e udhëtimit është marrja e lejes për udhëtim nga prindërit, mosngarkimi i vetes me borxhe, pastaj falja e namazit të istihares, përgatitja për udhëtim me ushqim dhe pije, me busull dhe mjete sigurie, zgjedhja e shoqërisë së mirë, dalja herët, sepse në këtë kohë ka shumë bereqet dhe zgjedhja e vendit të përshtatshëm për familjen, të ulet dhe të qëndrojë në të. Po ashtu nga edukata e udhëtimit është të mos neglizhohet përmendja e Allahut, pastaj mësimi i dhikrit dhe lutjeve profetike, si: duaja e hipjes në kafshë apo mjet transporti dhe duaja e udhëtimit dhe zbritjes së shiut, si dhe nga edukata është edhe largimi i të tepruarit në shpenzim, ushqim dhe pije, pastaj mosdëmtimi i njerëzve, kujdesja për ambientin dhe pasuritë e tij, kujdesja për rrugët dhe vendet e përgjithshme dhe largimi i pengesave nga rruga. Pra, nuk ka dëm as të dëmtuar (reciprok), që nënkupton se askujt nuk guxohet t’i shkaktohet dëm, as dëmi i shkaktuar të kthehet në të njëjtën mënyrë.
    3. Namazi është shtylla më e madhe në Islam pas dy dëshmive (shehadetit), prandaj edhe myslimani përkujdeset fort që namazin ta falë në kohën e vet dhe me xhemat. Allahu thotë: “…atëherë faleni namazin të plotë, sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” (En-Nisa: 103), dhe besimtarë të vërtetë janë ata: “njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për ta përmendur Allahun dhe të cilët e falin namazin…” (En-Nur: 37). Prandaj, kujdes dy herë që gjatë udhëtimeve të mos e falësh namazin apo ta vonosh atë.
    4. Gjatë udhëtimit pëlqehet të thirret ezani dhe ikameti për namaz. Thirrja e ezanit në shkretëtirë ka shpërblim të madh, ngase në këtë rast e ngre të përmendurit e Allahut në një vend të braktisur. Ebu Seid El Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i tha njërit prej shokëve të vet: “Po e shoh se i do dhentë dhe shkretëtirën. Kur të jesh me dhentë në shkretëtirë, thirre ezanin dhe ngrije zërin gjatë thirrjes, sepse “kushdo që dëgjon thirrjen e ezanit nga xhindet, njerëzit apo krijesat e tjera, vetëm se do të dëshmojnë për të në Ditën e Kiametit.” Ebu Seidi tha: “Këtë e dëgjova nga Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.”[22]
    5. Nga sunetet e braktisura dhe që lehtë mund të ringjallet gjatë udhëtimeve nëpër shkretëtirë është falja e namazit me nallane (apo këpucë). Në një hadith Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kundërshtoni çifutët, sepse ata nuk falen me nallanet e as me mestet e tyre.”[23]
    6. Gruas i lejohet të dalë për relaksim në suaza të së lejuarës duke qenë e mbuluar sipas rregullave fetare, pa e shfaqur trupin e saj, pa u zbukuruar dhe parfumosur dhe pa u përzier me burra që nuk i ka mahrema (të afërt).
    7. Burri e ka për detyrë që të përkujdeset për gruan e tij dhe për mbulesën e saj. Gjithashtu ai vetë duhet ta ulë shikimin e tij që të mos shikojë në gra të huaja dhe të tregojë respekt për nderin dhe familjet e vëllezërve të tij myslimanë.
    8. Koha e pushimeve është mundësi madhështore për udhëtimet më të mëdha imanore siç është udhëtimi për në umre. Kryerja e umres është shkak për t’i shlyer gjynahet dhe për ta shtuar bereqetin në risk si dhe është relaksim për shpirtin. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Umra deri në umren tjetër është shlyese për mëkatet që janë bërë në mes të tyre…” [24]

    Me një hadith tjetër Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Bëjeni haxhin dhe umren në vazhdimësi, sepse këto të dyja e largojnë varfërinë dhe i fshijnë gjynahet, ashtu siç zjarri e largon ndryshkun e hekurit, arit dhe argjendtit.”[25]

    1. Gjatë kohës së pushimeve fitoi:

    – Ai që mësoi diçka nga Kurani apo ia mësoi tjetrit: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ia mëson tjetrit.”[26]

    – Ai që bëri hapa për të kërkuar dituri: “Kush e merr rrugën për të kërkuar dituri, atij Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në Xhenet.”[27]

    – Ai që përcolli dituri dhe e përhapi fenë dhe mirësinë: “Përcillni prej meje qoftë edhe vetëm një ajet.”[28]

    – Ai që udhëzoi për në hair dhe thirri për në udhëzim dhe dha këshillë: “Kush e udhëzon dikë për në hair, ai do ta ketë shpërblimin sikurse ai që e vepron atë mirësi.”[29], dhe “Kush thërret për në udhëzim, ai do ta ketë shpërblimin e të gjithë atyre që e pasojnë, pa iu pakësuar gjë nga shpërblimi i tyre.”[30]

    – Ai që i respektoi prindërit dhe e vizitoi farefisin e akrabatë dhe i respektoi të drejtat që i ka ndaj familjes së tij.

    – Ai që ushtroi sport ta forcojë trupin e tij dhe nijetin e bëri që kjo t’i ndihmojë për në adhurimin e Allahut: “Besimtari i fortë në trup është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët.”[31]

    – Ai që njoftoi shoqëri të mirë, të cilët e ndihmojnë dhe e përkrahin për në të vërtetën dhe e largojnë nga e keqja.

    1. O ti mysliman dhe myslimane:

    Mësoje përmendsh ndonjë sure të Kuranit, mësoje ndonjë ajet, mësoje ndonjë mesele, prezento në mësim, dëgjo ligjëratë, lexo ndonjë libër, shpërndaje ndonjë broshurë, shkruaje në pika të shkurtra ligjëratën dhe përcjellja tjetrit, përhape fenë, shkruaje një artikull, dizajno faqe, përmirëso ndonjë gabim, laja borxhin ndonjë vëllai, shoqëroje të mirin, jepi atij që s’ka, shpenzo pasuri, lehtësoja brengën të mërziturit, bëje umren, mësoje të paditurin, përcille xhenazen, vizitoje të sëmurin, projektoje ndonjë projekt, mbylle boshllëkun, jep dhe propozo ndonjë ide.

     

    E lusim Allahun të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin e mirë të tij, të na mësojë atë që na bën dobi, të na bëjë dobi me atë që e mësojmë dhe të na japë bereqet në kohën dhe jetëgjatësinë tonë.

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.

     

    [1] Hiljetu El Evlija, Ebu Nuajm El Asbahanij (2/148).

    [2] El Xhevab El Kafij, Ibën El Kajim (fq. 156), shkurtimisht.

    [3] Medarixh Es Salikin (3/125), vende-vende.

    [4] Në hadith në gjuhën arabe ka ardhur me fjalën ‘megbun’, që do të thotë i humbur; pra ai që nuk i përdor ato dy begati si e meritojnë dhe si duhet vetëm se është mashtruar dhe ka humbur, d.m.th. që ato i ka dhënë dhe i ka shitur lirë dhe fundi nuk do të jetë i mirë. (sh.a).

    [5] Buhariu (6412).

    [6] Shih: Keshful mushkil min hadith es sahihejn, Ibën Xheuzij (2/437), dhe Fet’hul Barij, Ibën Haxher (11/230).

    [7] Hakimi (7846), shejh Albani e saktësoi në Sahih El Xhami’ (1077).

    [8] Tirmidhiu (2416), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [9] Imam Ahmedi (22345), hadithi është edhe në Es Sahiha (2924).

    [10] Transmetohet nga Handhale, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, një nga shkruesit e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të ketë thënë: “Më takoi Ebu Bekri dhe më tha: “Si je, o Handhale?” I thashë: Handhale ka bërë hipokrizi! (Ebu Bekri) Tha: “Subhanallah (Lavdërimi i qoftë Allahut), çfarë po flet?” Unë i thashë:
    Ne shkojmë tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili na flet për Xhenetin dhe Xhehenemin aq qartë, si t’i shihnim me sytë tanë, ndërsa kur dalim nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ne jepemi pas dëfrimit me gratë, me fëmijët dhe gjëra të tjera dhe harrojmë shumicën nga ajo që dëgjuam. Ebu Bekri tha: “Pasha Allahun, edhe ne veprojmë ashtu!” Pastaj unë dhe Ebu Bekri u nisëm derisa erdhëm tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe unë i thashë: Ka bërë hipokrizi Handhale, o i Dërguari i Allahut! I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Ç’është ajo?” I thashë: O i Dërguari i Allahut ne ishim te ti dhe ti na e tërhoqe vërejtjen me Xhehenem dhe Xhenet aq qartë, sikur t’i shihnim me sytë tanë, por kur kemi dalë prej teje, ne e kemi vazhduar dëfrimin me gratë, fëmijët dhe gjërat e tjera të kësaj bote, saqë kemi harruar shumë nga ato që i kemi dëgjuar prej teje. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Pasha Atë që shpirti im është në Dorën e Tij, sikur të ishit të përhershëm – ashtu siç ishit tek unë, dhe sikur ta përkujtoni vazhdimisht këtë, juve do t’ju përqafonin dhe do t’jua kapnin duart engjëjt në shtratin tuaj dhe në rrugët tuaja, mirëpo o Handhale, orë pas ore!” Këtë e përsëriti tri herë.” Shënon Muslimi (2750); (Burimi: https://sq.wikibooks.org/wiki/Rijadu_Salihin_I/3) (sh.p.)

    [11] Muslimi (2750).

    [12] Shih: Mirkatul Mefatih, El-Mula Alij el-Karij (4/1550).

    [13] Buhariu (1979), Muslimi (1159).

    [14] Buhariu (1975), Muslimi (1159).

    [15] Buhariu (1968).

    [16] Ez-Zuhd, Ibën El-Mubarek (fq. 313), dhe Ez-Zuhd, Henad (2/580).

    [17] Ihja Ulum Ed-Din (4/376).

    [18] El Edeb El Mufred, Buhariu (fq. 266), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [19] Buhariu (1), Muslimi (1907).

    [20] Buhariu (4341), Muslimi (1733).

    [21] Ihja Ulumu Din (4/376).

    [22] Buhariu (609).

    [23] Ebu Davudi (652), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [24] Buhariu (1773), Muslimi (1349).

    [25] Tirmidhiu (810), Nesaiu (2631), hadithi është në Sahih Et-Tergib ue Et-Terhib (1133).

    [26] Buhariu (5027).

    [27] Muslimi (2699).

    [28] Buhariu (3461).

    [29] Muslimi (1893).

    [30] Muslimi (2674).

    [31] Muslimi (2664).

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan Jahiu

    Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”

     

  • POROSI TË ARTA NË SHFRYTËZIMIN E PUSHIMEVE VERORE

    POROSI TË ARTA NË SHFRYTËZIMIN E PUSHIMEVE VERORE

    Koha është jeta e njeriut dhe gjëja më e shtrenjtë e tij, prandaj edhe konsiderohet si njëra prej begative më të mëdha që ia ka dhënë Allahu robit të Tij.

    Muadh ibën Xhebeli, radijallahu anhu, na njofton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë. “Nuk do të lëvizë këmba e asnjë robi Ditën e Kiametit, derisa të pyetet për katër çështje: Jetën se si e kaloi, rininë se si e shfrytëzoi, pasurinë se nga e fitoi dhe ku e harxhoi dhe diturinë se si punoi me të.”

    Prej hadithit na bëhet e qartë se Ditën e Kiametit robi i Allahut nuk e bën një hap, vetëm se do të llogaritet për jetën e tij në përgjithësi dhe rininë e tij në veçanti, pastaj për pasurinë e tij si e ka fituar dhe shpenzuar dhe për kohën e tij se si dhe ku e ka kaluar.

    Abdullah ibën Abasi, radijallahu anhu, transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shumë njerëz nuk i shfrytëzojnë dy të mira: shëndetin dhe kohën e lirë.”

    Po ashtu ibën Abasi, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shfrytëzoi pesë gjëra para pesë të tjerave: Rininë tënde para se të arrijë pleqëria, shëndetin para se të arrijë sëmundja, pasurinë para se të vijë varfëria, kohën e lirë para se të zihesh me punë dhe jetën tënde para se të vijë vdekja.’’

    Kush e njeh periudhën e selefit dhe i pason ata do të vëren se ata ishin njerëzit që më së shumti kujdeseshin për kohën e tyre.

    Abdullah ibën Mesudi, radijallahu anhu, thoshte: “Nuk jam penduar gjatë jetës sime më shumë se atë ditë kur dielli ka perënduar dhe exheli më është afruar, ndërsa në llogarinë time nuk kam shtuar asnjë vepër të mirë.”

    Çdo njeri i mençur në rast se i mediton këto hadithe do të vërejë se çdo njeri është përgjegjës për kohën dhe jetën e tij dhe se koha është mall i shtrenjtë me të cilën dinë të bëjnë tregti vetëm njerëzit e mençur. Për fat të keq rinia jonë është sprovuar në humbjen e kohës në gjëra të kota dhe i kanë harruar përgjegjësit e tyre ndaj saj dhe e kanë neglizhuar thënien: “Koha është sikurse shpata. Po nuk e preve ti, të pret ajo ty.

    Tani gjendemi në periudhën e pushimeve verore ku edhe njerëzit më së shumti e neglizhojnë shfrytëzimin e saj dhe investimin në të dhe për këtë shkak i zgjodhëm disa porosi me të cilat shpresojmë që t’i bëjnë dobi muslimanëve.

    Porosia e parë: Mos u largohuni prej Kur’anit

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, në një hadith të gjatë të quajtur “hadithi i ëndrrës” të cilin na e përcjell Semrete ibën Xhundub, radijallahu anhu, thotë: “Natën më erdhën dy burra dhe më thanë ec përpara. Vazhduam të ecim derisa mbërritën pranë një burri të shtrirë me shpinë, te koka e të cilit qëndronte një burrë i cili ia thyente kokën me gurë. Kur e godiste guri rrokullisej dhe ai shkonte për ta marrë dhe nuk kthehej tek ai vetëm kur i mbyllej plaga dhe koka i kthehej në formën e mëparshme. Burri kthehej dhe e qëllonte sërish. I pyeta thotë Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, se kush është ky? Thanë dy burrat: Ec përpara dhe pastaj më thanë. Ai që ia thyenin kokën është njeriu që ia mësoi Allahu Kur’anin e nuk e lexoi gjatë natës dhe nuk punoi me të gjatë ditës. Kështu veprohet me këtë deri në Ditën e Gjykimit.”

    Ebu Musa El-Esharij, radijallahu anhu, thotë se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kur’anin, është sikurse shembulli i citrës, aroma e së cilës është e mirë dhe shijen e ka të mirë; shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kur’anin, është sikurse hurma, nuk ka erë, por shijen e ka të ëmbël; ndërsa shembulli i munafikut (hipokritit) i cili e lexon Kur’anin, është sikurse shembulli i krizantemës (lule vjeshte), aroma e së cilës është e mirë, ndërsa shija e hidhët. Shembulli i munafikut i cili nuk e lexon Kur’anin, është sikurse shembulli i kungullit të egër, që nuk ka aromë, kurse shijen e ka të hidhët.”

    Këto hadithe duhet të jenë stimulim i mirë për çdo musliman pa marrë parasysh pozitën e tij jetësore dhe vendin ku gjendet, që t’ia jap besën vetes së tij se do të lexojë diçka prej Kur’anit tërë jetën e tij, e jo vetëm në periudhën e pushimeve verore.

    Në vazhdim do ta paraqes një tabelë e cila do të ndihmojë në mësimin përmendësh të Kur’anit.

     

    Numri i ajeteve Periudha Koha e përfundimit
    Një ajet Çdo ditë 18 vite e 7 muaj e 9 ditë
    Tre ajete Çdo ditë 5 vite e 10 muaj e 13 ditë
    Pesëmbëdhjetë ajete Çdo ditë Një vit e dy muaj e një ditë
    Njëzet ajete Çdo ditë Dhjetë muaj e gjashtëmbëdhjetë ditë
    Një faqe Çdo ditë Një vit e tetë muaj e dymbëdhjetë ditë
    Dy faqe Çdo ditë Dhjetë muaj e gjashtë ditë

     

    Porosia e dytë: Ngopja e mendjes dhe trurit me atë çka të bën dobi

    Ti, o vëlla musliman, ky pushim është shans i mirë për lexim ditor që ta zgjerosh diapazonin tënd dhe t’i shtosh informacionet e duhura që të nevojiten. Lexo libra të ndryshëm që shpirtrat anojnë kah ato dhe që nuk bien në kundërshtim me fenë e Allahut, azze ue xhel, duke mos e neglizhuar edhe leximin e librave fetare sidomos ato libra të cilat i përmbajnë dispozitat e besimit, namazit dhe dispozitat e tjera fetare bazike.

    Porosia e tretë: Mbaji lidhjet farefisnore

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju” (En-Nisa: 1)

    Enes ibën Malik, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai njeri që dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë marrëdhëniet farefisnore.”

    Xhubejr ibën Mutim, radijallahu anhu, thotë se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai i cili këput lidhjet farefisnore.”

    Ebu Hurejra, radijallahu anhu, transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush i beson Allahut dhe Ditës së Kiametit le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”

    A ka më mirë se një njeri të kujdeset për familjen e tij, të pyet se a ka nevojtar e ti ndihmojë, dhe a ka të sëmur e ta vizitojë. Kjo i shton të mirat, dashurinë dhe afërsinë mes farefisit. Në rast se nuk mundesh t’i vizitosh le të jetë telefoni yt i bekuar me të cilin do t’i mbash lidhjet farefisnore, sidomos me ato të cilët nuk të vizitojnë.

    Porosia e katërt: Pushimi veror është periudhë e mirë për fejesë apo martesë

    Martesa është traditë e të gjithë pejgamberëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: Vërtet, edhe para teje Ne kemi sjellë të dërguar, të cilëve u kemi dhënë gra dhe pasardhës.” (Er-Rad’: 38)

    Me ngritjen e martesës sipas ligjit të Allahut, jeta sistematizohet, nderi i muslimanit mbrohet dhe gjendja e tij drejtohet. Allahu, azze ue xhel, thotë: “I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.(En-Nur: 32)

    Për fat të keq sot e vërejmë rininë tonë se si e vonojnë martesën me pretekst se janë shumë të rinj ose thonë se së pari duhet të mbledhim të holla dhe të posedojmë shtëpi e pastaj do të martohemi. Disa prej tyre i presin princat me kuaj të bardhë ose princeshat që të vinë dhe t’i propozojnë martesa dhe i harrojnë argumentet të cilat nxisin në martesë. Çdo vonesë shkon në dëm të tyre dhe më e keqja dhe më e rrezikshmja është se mund shumë lehtë të bien në imoralitet dhe ta meritojnë mallkimin e Allahut në dunja dhe ahiret në rast se nuk pendohen.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: O të rinj, kush ka mundësi të martohet le të martohet, sepse kështu e ruan më mirë syrin dhe e mbron organin e tij. E kush nuk mundet të martohet, le të agjërojë, sepse agjërimi është mburojë për të.”

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Nëse ju vjen (për t’ju kërkuar) ndonjëri me moral dhe përkushtim ndaj fesë, gjëra të cilat ju pëlqejnë, atëherë martojeni, përndryshe, do të bëhet fitne në tokë dhe çrregullime të gjëra.”

    Porosia e pestë: Vizitoni kampet verore fetare

    Kampet verore janë begati që na i mundësoi Allahu këtyre viteve të fundit. Në to ka shumë dobi si fetare ashtu edhe edukatore, sportive, kulturore etj. Mbikëqyrja e këtyre kampeve bëhet nga ana e njerëzve të sigurt të besueshëm në dituri dhe moral, të cilët e dëshirojnë të mirën dhe thirrin në të. Është mirë që çdo musliman së paku një herë të shkojë e të vizitojë ndonjë kamp dhe të bindet në atë se çka ofron ky lloj kampingu.

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Humbja e kohës është më e keqe se vdekja, për shkak se humbja e kohës ta shkatërron dynjanë tënde dhe ahiretin tënd.”

    E lus Allahun, azze ue xhel, që të na bën prej atyre që dimë se si ta shfrytëzojmë kohën tonë.

    O muslimanë, në këtë periudhë një numër i madh i muslimanëve udhëtojnë në vende ku Allahu nuk është i kënaqur me to. Disa prej tyre shkojnë në det dhe e zhveshin trupin e tyre para të huajve, e disa prej tyre shkojnë në vende të imoralitetit që t’i bëjnë mëkat Allahut.

    Dijetarët na paralajmërojnë prej udhëtimeve në këto vende dhe asnjëri prej tyre nuk e lejon qëndrimin në këto vende. Përjashtim bëjnë vetëm se ata të cilët shkojnë për shërim ose për mësim të ndonjë lënde që nuk mësohet në tokat muslimane ose për thirrje në fenë e Allahut ose për tregti, mirëpo duke mos i harruar obligimet fetare dhe dispozitat e saj.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Unë jam i pastër (i pafajshëm) nga çdo musliman që jeton në mesin e idhujtarëve!”

    “Nuk kam lënë pas meje fitne (sprovim, përçarje) më të dëmshme për burrat se gratë.”

    “Frikohuni prej sprovës së dynjasë dhe sprovës së grave.”

    O muslimanë, kjo ishte edhe porosia e gjashtë dhe me këtë e përfundoj hutben e ditës së sotme dhe e lus Allahun, azze ue xhel, me emrat e tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta që të na mundëson që kohën tonë ta shfrytëzojmë në adhurime dhe në atë çka na bën dobi në këtë botë dhe ahiret dhe të na mbrojë prej të kotës dhe injorancës.

    Përshtati: Irfan JAHIU