Category: Mirësjellja – Edukata fetare

  • HARAMET QË NDIKOJNË NË VËLLAZËRI

    HARAMET QË NDIKOJNË NË VËLLAZËRI

    Allahu, azze ue xhel, e dërgoi Muhamedin, salallahu alejhi ue selem, mëshirë për të gjithë, për njerëzit dhe xhinët. U dërgua t’i bashkojë zemrat e besimtarëve në besim, t’i pastrojë shpirtrat e tyre prej armiqësie, të largojë prej zemrave të tyre çdo gjë e cila i çon deri në urrejtje dhe që ata të bëhen vëllezër që duhen për hir të Allahut.

    Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, na përcjellin në librat e tyre se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Hiqeni prej vetes dyshimin (paramendimin e keq dhe rezultatin e tij), ngase ai është veti nga më të këqijat. Mos u bëni kureshtar (i dhënë pas lajmeve dhe ngjarjeve), mos u merrni me të metat e të tjerëve (as kur këto i mbani në vete e as kur ato doni t’i publikoni), mos keni zili njëri-tjetrin, mos garoni me njëri-tjetrin në shitblerje (me ambicie të sëmura), mos u urreni, mos ia ktheni njëri-tjetrit shpinën dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër. Muslimani është vëlla i muslimanit. Kjo do të thotë se ai nuk i bën dëm dhe nuk i hyn në hak, nuk e lë pa ndihmë (në baltë), dhe nuk e nënçmon. Devotshmëria (takvallëku) është këtu (me dorë tregoi nga vendi i zemrës tri herë). Është shumë e keqe për një njeri kur ai poshtëron vëllain e tij musliman. Çdo musliman kundruall çdo muslimani e ka haram: gjakun e tij, pasurinë e tij dhe nderin e tij.”

    Ky hadith i përfshin njëmbëdhjetë ndalesa të cilat ndikojnë në pastrimin e zemrave dhe në largimin e kontradiktave dhe urrejtjeve, në rast se muslimani i vepron.

    Thënia e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem: Hiqeni prej vetes dyshimin ngase ai është veti nga më të këqijat” ka për qëllim shpifjen e cila bëhet pa asnjë shkak dhe nuk i përshtatet realitetit. Ky lloj dyshimi është i keq, i kotë dhe është mëkat.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vërtet, disa dyshime janë gjynah.” (El-Huxhurat: 12); “Në të vërtetë, hamendja nuk e zëvendëson aspak të vërtetën.” (Junus: 36)

    Prandaj muslimani duhet të jetë i kujdesshëm prej supozimeve të këqija dhe të ketë mendim të mirë për vëllain e tij musliman.

    Omeri, radijallahu anhu, thoshte: “Ke mendim të mirë për çdo fjalë që del prej gojës së vëllait tënd musliman, duke qenë i bazuar në mirësinë e saj.”

    Seid ibën Musejeb, radijallahu anhu, thoshte: “Më porositën disa vëllezër muslimanë që të kem mendim të mirë për vëllain tim musliman, derisa të del në shesh e kundërta.

    Thënia “Mos u bëni kureshtar” e ka për qëllim dëgjimin e thashethemeve të njerëzve, ndërsa fjala “mos u merrni me të metat e të tjerëve” e ka për qëllim hulumtimin e të metave dhe zbulimin e çështjeve të brendshme.

    El Hatabi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kuptimi i saj është mos hulumto të metat e njerëzve dhe mos i përcjell ato.”

    Fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem: “mos keni zili njëri me tjetrin” ka për qëllim mos keni zili ndaj begative që u janë dhuruar të tjerëve.

    Zili është të shpresosh që t’i humb vëllait tënd begatia që e posedon, është zemërim ndaj Allahut në mirësinë dhe begatinë e Tij, dhe kundërshtim ndaj asaj që ia ka caktuar Allahu robit të Tij prej furnizimit. Allahu, azze ue xhel, thotë: “A mos i kanë zili njerëzit për çfarë u ka dhuruar Allahu nga të mirat e Veta? Ne u dhamë pasardhësve të Ibrahimit Librin e urtësinë, si dhe një pushtet të madh.” (En-Nisa: 54)

    Ziliqari kur ia sheh njerëzve begatitë që u janë paraqitur brengoset dhe shpreson e kujdeset që ato t’i humbin, ndërsa kur i godet ndonjë sprovë dhe e keqe ai kënaqet. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nëse ju vjen ndonjë e mirë, ata i brengos e, nëse ju gjen ndonjë e keqe, ata gëzohen, por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që punojnë ata.” (Ali Imran: 120)

    Nuk ka begati që i dhurohet ndokujt e mos të ketë ziliqar. Omeri, radijallahu anhu, thoshte: “Nuk ia ka dhuruar Allahu ndokujt një begati, vetëm se është paraqitur ziliqari i saj.”

    Modestia dhe ai që e posedon janë begati që pakica i kanë zili. Mubridi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Modestia dhe ai që përshkruhet me të janë begati që shumica nuk i kanë zili, ndërsa mendjemadhësia është sprovë dhe bela e cila nuk e mëshiron pronarin e saj.”

    Urtësia e saj qëndron në faktin se mendjemadhi mendon se modestia është e ulët dhe humbje, por në fakt ajo është krenari dhe ngritje.

    O vëlla musliman!

    Zilia është sëmundje që e dëmton trupin dhe e ul pozitën e ziliqarit. Prandaj, kënaqu me atë që ta ka caktuar Allahu. Falënderoje Atë për të gjitha begatitë që t’i dhuroi, se kjo është më e dashur për shpirtin dhe më e dashur tek Allahu.

    Fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem,mos garoni me njëri-tjetrin në shitblerje, e ka për qëllim kur një njeri i cili paraqitet si blerës e rrit çmimin e mallit dhe ai nuk e ka për qëllim blerjen e saj, por me rritjen e saj dëshiron t’i bëj dobi shitësit në llogari të myshteriut. Kjo është dëm i madh për myshteriun. Ngjall mes njerëzve urrejtje dhe është ndihmesë në ngrënien e pasurisë në të kotë dhe pa dyshim se është mashtrim për muslimanët.

    Thënia “mos u urreni” do të thotë mos veproni gjëra që e nxisin urrejtjen mes jush prej fyerjeve, talljeve, përgojimeve, bartjeve të fjalëve, etj. Dije, o vëlla musliman, se njerëzit që i bartin fjalët dhe i pasojnë epshet e tyre janë prej njerëzve më të këqij. Ndërsa urrejtja e një vëllai që të këshillon në të mirë dhe të ndalon prej të keqes dhe urrejtja e këshillave të tij për shkak se nuk i përshtatet epsheve dhe pasioneve tua, është sinjal se ti ke sëmundje në zemrën tënde dhe nuk je në rrugë të drejtë.

    Ndërsa thënia mos ia ktheni njëri-tjetrit shpinën” , e ka për qëllim mos e bojkoto vëllain tënd duke e larguar dhe braktisur, dhe duke mos e përshëndetur me selam apo duke mos ia kthyer selamin.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk i lejohet muslimanit ta bojkotoj vëllain e tij musliman më tepër se tre ditë. Ndoshta takohen ose përballen me njëri-tjetrin dhe nëse njëri i kthen shpinën po ashtu edhe tjetri e kthen shpinën. Më i miri prej tyre është ai që e fillon me selam.”

    Ibën Abdulber, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Braktisjes dhe largimit i thuhet kthim i shpinës për shkak se ai i cili e urren tjetrin e braktis dhe largohet prej tij. Kurse ai i cili largohet dhe e braktis vëllain e tij vetëm se ia ka kthyer shpinën një muslimani.”

    Prandaj, o ju muslimanë, keni frikë Allahun, azze ue xhel, dhe falënderoni Atë për begatitë që ua dhuroi. Mos u bëni ziliqar ndaj begative të tjerëve dhe kënaquni me atë që Allahu ju furnizoi.

    “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë! Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kur’anin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.” (Ali Imran: 102-103)

    Frikohuni Allahut dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër. Silluni mes vete me urtësi, me butësi, me mençuri dhe me dashuri. Bashkëpunoni mes vete në mirësi, me zemra të pastra dhe me këshilla të dobishme në çdo gjendje, se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit. Kjo do të thotë se ai nuk i bën dëm dhe nuk i hyn në hak, nuk e lë pa ndihmë (në baltë), dhe nuk e nënçmon.

    Thënia nuk i bën dëm dhe nuk i hyn në hak” do të thotë se nuk lejohet t’i bëhet dëm qoftë me fjalë, apo me vepër. Detyrohet ta këshillon dhe t’ia jep të drejtat e tij që i meriton.

    Thënia nuk e lë pa ndihmë (në baltë)” do të thotë se muslimani detyrohet t’i ndihmojë muslimanit, në rast se ka mundësi, kur ai kërkon ndihmë prej tij me qëllim që ta largojë padrejtësinë prej tij.

    Thënia nuk e nënçmone ka për qëllim se nuk ia ul pozitën e tij para njerëzve duke e akuzuar se nuk ka shumë dituri, pasuri, moshë apo se në jetën e tij është i pavlefshëm, nuk ka punë të mirë, familja nuk e do, etj.

    Nënçmimi burimin e saj e ka prej mendjemadhësisë, ndërsa Allahu, azze ue xhel, na ka njoftuar se nuk e do mendjemadhësinë dhe mendjemëdhenjtë.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, e kërcënon atë që në zemrën e tij ka mendjemadhësi se nuk do të hyjë në Xhenet. Thotë, salallahu alejhi ue selem: “Nuk do të hyjë në Xhenet ai, që në zemrën e tij ka një grimcë mendjemadhësie.” – Një prej burrave tha: O i Dërguar i Allahut, dikush dëshiron, që rrobat dhe sandalet t’i ketë të bukura? – Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është refuzimi i të vërtetës dhe sjellja me arrogance ndaj njerëzve”.

    Refuzimi i të vërtetës do të thotë mospranimi i saj dhe refuzimi me mendjemadhësi i atij, që e thotë atë. Ndërsa sjellja me arrogancë ndaj njerëzve bëhet duke i poshtëruar dhe përbuzur.

    Thënia devotshmëria (takvallëku) është këtu (me dorë tregoi nga vendi i zemrës tri herë)” aludon se Allahu i shikon zemrat dhe veprat, e jo pamjet dhe pasuritë.

    Po ashtu përfitojmë se baza e besimit është në zemër, frytet e saj në gjymtyrë dhe se imani është fjalë dhe vepër dhe besim. Nuk mjafton vetëm emri musliman dhe shpresa se Allahu do të më fal, por besimi është ajo që ngulitet në zemër dhe gjymtyrët e vërtetojnë.

    O vëlla musliman!

    Ashtu si e ke të ndaluar gjakun dhe pasurinë e vëllait tënd musliman, po ashtu e ke të ndaluar edhe nderin e tij duke e fyer dhe shpifur.

    Sa njerëz mendojnë keq dhe flasin dhe shpifin për muslimanët e ndershëm.

    Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Çudi është me disa besimtarë që shumë lehtë mbrohen prej ngrënies së pasurisë haram dhe shikimit haram, mirëpo shumë rëndë mbrohen prej lëvizjes së gjuhës. Sa njerëz i ikin imoraliteteve dhe padrejtësive, mirëpo gjuha e tyre shpif në nderin e të gjallëve dhe të vdekurve dhe si intereson se çka flasin.”

    Disa prej selefit thanë: “Kujdesu që vëllai musliman t’i ketë të garantuar prej teje tri gjëra: Nëse nuk mundesh t’i bësh mirë mos e dëmto, nëse nuk mundesh ta gëzosh mos e hidhëro dhe nëse nuk mundesh ta lavdërosh mos e kritiko dhe nënçmo.”

    O vëlla musliman!

    A dëshiron që Allahu të t’i fal mëkatet? Nuk ka aspak dyshim se ti dëshiron faljen, nëse ke zemrën e shëndoshë.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Çdo të enjte dhe të hëne ekspozohen veprat (e njerëzve). Allahu në këto ditë ia fal të gjithëve që nuk i kanë bërë shok Atij, mirëpo e privon vetëm atë që ka armiqësi me vëllain e tij musliman. Allahu thotë lëri këta të dy deri sa të pajtohen mes vete”.

    O muslimanë!

    Armiqtë e Islamit kënaqen kur i shohin muslimanët të përçarë mes vete dhe duke u urryer. Kjo ia lehtëson atyre depërtimin në radhët e muslimanëve dhe devijimin e tyre prej rrugës së drejtë. Prandaj, bashkoni radhët e juaja që t’u bashkohen zemrat e juaja. Silluni me mirësi dhe dashuri mes vete dhe kërkoni mbrojtje te Allahu prej shejtanëve njerëz dhe xhindë që dëshirojnë të sjellin armiqësi dhe urrejtje mes muslimanëve.

    E lus Allahun, azze ue xhel, që zemrat dhe radhët e muslimanëve t’i bashkojë, urrejtjet dhe armiqësitë e tyre t’i largojë, ndërsa armiqtë e Islamit dhe muslimanëve t’i shkatërrojë dhe të gjitha planet e tyre kundër Islamit t’i asgjësojë.

     

    Muhamed ibën Ali es Sauij 

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • HIPOKRITËT

    HIPOKRITËT

    Allahu i dalloi besimtarët prej atyre që zemrat i kanë të sëmura e të dobëta me besim, disa popuj i ngriti në grada të larta e disa prej tyre i uli në grada të ulëta dhe njerëzit i dalloi mes të gëzuarve dhe të pikëlluarve.

    Njerëzit para shpërnguljes së Profetit, alejhi salatu ue selem, në Medine ndaheshin në besimtarë dhe në jobesimtarë dhe nuk ekzistonte grup i tretë i pavendosur në mesin e tyre. Pas shpërnguljes dhe vendosjes së Profetit, alejhi salatu ue selem, në Medine këtyre dy grupeve iu shtua edhe një grup tjetër i ri, kështu që ndarja e njerëzve u bë në besimtarë të përpiktë në mbrojtjen e fesë, në jobesimtarë të qartë e armiq të fesë, dhe në hipokritë me pamje të jashtme islame, mirëpo me zemër jobesimtare mohuese. Allahu këtë e përmendi në fillim të sures Bekare duke i zbritur katër ajete në përshkrimin e besimtarëve, dy në përshkrimin e jobesimtarëve dhe më shumë se dhjetë ajete në përshkrimin e hipokritëve. Kjo, që të dallohen dhe qartësohen zemrat dhe të shpërblehen besimtarët për besimin e çiltër të tyre dhe të dënohen hipokritët me vullnetin e Allahut ose t’ua falë atyre me mëshirën e Tij. Allahu në Kur’an na paralajmëroi prej hipokrizisë dhe prej vetive të hipokritëve në më shumë se treqind ajete të përfshira në shtatëmbëdhjetë sure dhe e veçoi për to një sure të veçantë të plotë, deri sa Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, tha: “Kur’ani pothuajse gati zbriti i tëri në lidhje me ta”.

    Hipokritët ndahen në grupe dhe lloje. Prej tyre ka që beson e pastaj devijon, prej tyre ka që i jep përparësi devijimit para udhëzimit, prej tyre ka që njëherë u bëhet e qartë e vërteta e njëherë dyshojnë në të. Gjatë historisë islame telashet me to janë më të rëndat, e pretendojnë Islamin e në fakt janë armiqtë e tij, janë të hutuar mes besimit dhe kufrit, e kërkojnë dynjanë me jobesimtarët ose me besimtarët, janë të pa orientuar se me cilin grup të shkojnë, nuk janë as besimtarë të pastër e as jobesimtarë të qartë, nuk dinë nga t’ia mbajnë as me këta e as me ata, në pamje të jashtme janë me besimtarët e me zemrat e tyre janë me jobesimtarët. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: “Shembulli i hipokritit është sikurse shembulli i deles së lëkundur në mes dy kopeve, herë shkon te njëra e herë te tjetra, nuk e di se cilën (kope) të ndjekë”.

    Allahu ia çori maskën hipokritëve dhe i demaskoi fshehtësitë e tyre që të jenë muslimanët më të vetëdijshëm rreth ideologjisë së tyre, planeve të tyre kundër Islamit dhe muslimanëve dhe pretendimeve të tyre se ata janë që përmirësojmë në tokë e jo që shkatërrojnë: Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë!” – ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë! (El-Bekare: 11) Si mund të jenë ata përmirësues kur janë të shurdhër, memecë e të verbër, njerëz që shpresojnë veprimin e të keqes dhe përhapjen e saj nëpër shoqëri, e ndalojnë të mirën, e urrejnë stemën e thirrjes në të mirë dhe ndalimit nga e keqja dhe i urrejnë ata që thirrin në të: “Hipokritët dhe hipokritet janë të ngjashëm me njëri-tjetrin: kërkojnë që të bëhen vepra të këqija e pengojnë të mirat dhe janë dorështrënguar”. (Et-Teube: 76) Shpifin kundër muslimanëve se janë mendjelehtë, por Allahu i përshkroi se ata janë të tillë: “Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë mendjelehtët, por nuk e dinë këtë”. (El-Bekare: 13) Tentojnë t’i mashtrojnë muslimanët dhe t’i shkatërrojnë shoqëritë e tyre, mirëpo: “Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por në të vërtetë mashtrojnë vetëm vetveten, megjithëse nuk e ndiejnë”. (El-Bekare: 9) Nxisin fitne, urrejtje dhe bartin fjalë: “Ata do t’ju shtonin juve vetëm të keqe, do të shtinin ngatërresa midis jush dhe do të ngjallnin përçarje, sepse edhe ndër ju ka nga ata që ua vënë veshi”. (Et-Teube: 47)

    Kur i shohin muslimanët në begati pikëllohen e kur i godet ndonjë e keqe gëzohen, paraqiten kryeneç, i nënçmojnë të tjerët dhe mahniten me vetveten: “Ata thonë: “Nëse kthehemi në Medinë, pa dyshim që të fuqishmit do t’i dëbojnë të dobëtit nga ajo!” (El-Munafikun: 9) Marrëveshjet nuk i realizojnë, besëlidhjet nuk i respektojnë, premtimet i tradhtojnë, amanetet nuk i mbajnë, e tradhtojnë shokun kur është më së e nevojshme ndihma e tyre, prandaj mos shpreso prej tyre ndihmë e as besë. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: “Kur flet gënjen, kur besohet diçka nuk e mban amanetin, kur është në konflikt është i padrejtë dhe kur premton nuk realizon”.

    Hipokritët janë njerëz me fjalor më të butë, me gjuhë më magjepse, me zemra më të prishura, e paraqesin të kotën të vërtetë, dhe kur i dëgjon ndokush sprovohet me ëmbëlsinë e fjalëve të tyre: nëse flasin, ju i dëgjoni fjalët e tyre”. (El-Munafikun: 4) E megjithatë, trupat i kanë të boshatisur si trungje të mbështetura, ndërsa në mexhlise fjalët e tyre janë vetëm se gënjeshtra dhe Allahu është dëshmitarë për këtë që e themi: “Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë”. (El-Munafikun: 1) Madje rrenat e tyre i shfajësojnë me betime të rrejshme: “Ata me vetëdije betohen në gënjeshtar”. (El-Muxhadele: 14) Në kohën e paqes dhe sigurisë sulmojnë Islamin dhe muslimanët me gjuhë të mprehtë dhe fjalë të llojllojshme fyese, ndërsa gjatë vështirësive janë më frikacakët dhe braktisin njëri-tjetrin. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kur frikësohen, ata të shikojnë ty (o Muhamed) për ndihmë, duke i rrotulluar sytë sikur të ishin në agoni. Por, sapo t’u kalojë frika, ata ju sulmojnë me gjuhë të mprehtë dhe janë koprracë me ju për çfarëdo të mire”. (El-Ahzab: 19)

    Hipokritët vuajnë prej frikës dhe fobive, ata kujtojnë se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre. Janë njerëz që nxitojnë në vërtetimin e lajmeve jo të mira dhe përgënjeshtrimin e lajmeve të mira, njihen si koprracët më të mëdhenj që nuk ia zgjasin asnjëherë dorën të varfërve dhe të mjerëve. Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ata janë më të fëlliqurit, më të këqijtë dhe më të shëmtuarit prej bijve të Ademit”. Të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe shokët e tij i fyenin më së rëndi, talleshin me to dhe i përqeshnin, udhëheqësi i tyre Abdullah ibën Ubeji me tërheqjen e një të tretës së ushtrisë i braktisi muslimanët në betejën e Uhudit kur ata ishin më së zori për ndihmë dhe ushtri, ndërsa në luftën e Tebukut në mesnatë tentuan ta vrasin të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam. Janë njerëz që kur ngrihen për faljen e namazit ngrihen me dembeli e përtaci, namazin nuk e falin për Allah, madje as nuk e besojnë ligjësimin e tij. Namazi i tyre kryhet vetëm me trup pa zemër. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: “Ai (namazi i shpejtë) është namazi i hipokritëve, ulet ndonjëri prej tyre derisa të skuqet dielli (afër perëndimit), ku në këtë kohë është mes dy brirëve të shejtanit, pastaj ngrihet dhe i falë shpejtë katër rekate, në të cilat nuk e përmend Allahun vetëm se pak”.

    Allahun nuk e përmendin vetëm se pak, për shkak se i ka vënë poshtë djalli dhe i ka bërë që të harrojnë përmendjen e Allahut. Nuk shpenzojnë përveç se me urrejtje dhe pa vendosmëri dhe shpenzimet e tyre janë të papranuara tek Allahu: Thuaj: “Shpenzoni me hir a me pahir, nga ju nuk do të pranohet kurrsesi, sepse ju jeni vërtet një popull i mbrapshtë”. (Et-Teube: 53) Pasuria dhe fëmijët e tyre janë shkak për ndëshkimin e tyre: “Mos u josh (o Muhamed) nga pasuria dhe fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu kërkon t’i ndëshkojë ata në këtë jetë, kështu që t’u dalë shpirti duke qenë jobesimtarë”. (Et-Teube: 55)

    Në zemrat e tyre nuk gjen përveç se hipokrizi. Sinqeriteti për Allahun në veprat e tyre nuk ekziston dhe mu për këtë arsye e braktisin shumë namazin me xhemat. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: “Asnjë namaz nuk është më i rëndë për hipokritët se namazi i sabahut dhe i jacisë, por sikur ta dinin ata shpërblimin për faljen e këtyre namazeve me xhemat, do të merrnin pjesë edhe sikur t’u duhej të shkojnë të zvarritur”.

    Numri i tyre është i madh, janë të shpërndarë në të gjitha anët e botës, ka prej tyre lloje të ndryshme dhe secili prej tyre karakterizohet me vetitë e veta. Hudhejfeja, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Hipokrizia sot është më e përhapur se sa në kohën e Profetit, alejhi salatu ue selem”. Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Hipokrizia vazhdoi të zë vend edhe pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, madje edhe të rritet numri i tyre”. Pasi që hipokrizia ka qenë e pranishme në atë periudhë kur besimi ishte në një nivel të lartë pa dyshim se më vonë do të rritet prezenca e saj në shoqëri edhe më tepër. Prandaj Hudhejfeja kur e dëgjoi një njeri duke thënë: “O Zot, shkatërroj hipokritët”, u përgjigj: “Po të ishin shkatërruar hipokritët do të mbeteshin rrugët të boshatisura pa njerëz”.

    Profeti, alejhi salatu ue selem, i dinte disa prej hipokritëve dhe emrat e tyre ia tregoi vetëm se Hudhejfes, radijallahu anhu, dhe këtij të fundit ia ndaloi që t’ua tregojë të tjerëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: Ka beduinë në mjedisin tuaj, që janë hipokritë, por ka edhe ndër banorët e Medinës të atillë që janë këmbëngulës në hipokrizi. Ti nuk i di ata. Ne i dimë”. (Et-Teube: 101) Pasi që të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selem, iu lejua që mos t’i dijë të gjithë hipokritët dhe ata jetonin me të në Medine, në rend të parë është që ata që do të vinë pas tij të mos i njohin hipokritët edhe më tepër. Ne gjykojmë sipas të jashtmes ndërsa zemrat i di vetëm se Allahu, mirëpo pa dyshim se ka shenja që aludojnë në njohjen e hipokrizisë dhe hipokritëve. Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Sa do që njeriu t’i fsheh fshehtësitë e zemrës atë e tradhtojnë paraqitja e shenjave në fytyrë dhe rrëshqitjet e gjuhës së tij”. Prej vetive të tyre është se kur forcohen muslimanët ata dobësohen, kur dobësohen muslimanët ata paraqiten, sprova e muslimanëve me to është shumë e rëndë, madje edhe më e rëndë se me jobesimtarët, prandaj edhe Allahu thotë: “Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruajuni prej tyre”. (El-Munafikun: 3)

    Hipokrizia ka grada. Ka hipokrizi të madhe dhe hipokritët e këtij lloji do të jenë në thellësi të Xhehenemit, dhe kjo, për shkak të mohimit të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selem, ose mohimit të diçkaje me çka ka ardhur me të, urrejtja e tij, mosbesimi në detyrimin e pasimit të tij, etj. Po ashtu ka hipokrizi të vogël. Në këtë lloj hipokrizie bien njerëzit të cilët veprojnë ndonjë vepër prej veprave të hipokritëve duke qenë edhe imani prezentë në zemrën e tyre. Këta njerëz në zemrën e tyre kanë edhe iman edhe hipokrizi dhe sa më shumë që i shtojnë veprat e hipokritëve aq më shumë bëhen hipokritë të pastër edhe pse e falin namazin dhe agjërojnë. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: Nëse gjenden katër cilësi tek një person, atëherë ai është hipokrit i vërtetë, por nëse gjendet njëra prej tyre, atëherë tek ai gjendet një prej cilësive të hipokritëve, derisa të heqë dorë nga ajo: Kur flet gënjen, kur besohet diçka nuk e mban amanetin, kur është në konflikt është i padrejtë dhe kur premton nuk realizon”.

    Bashkimi i të gjithë këtyre cilësive në një njeri e bëjnë që të jetë hipokrit i vërtetë, ndërsa paraqitja e një prej këtyre cilësive e bën njeriun që të posedon një prej vetive të tyre. Hipokrizia e vogël është mjet për arritjen deri tek hipokrizia e madhe dhe për mu këtë arsye të parët e tanë, Allahu qoftë i kënaqur me ta, kishin drojë të madhe prej hipokrizisë dhe secili prej tyre mendonte se ka veti prej vetive të hipokritëve. Ibën Ebi Melijkeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “ Kam takuar më tepër se tridhjetë vetë prej shokëve të Muhamedit, salallahu alejhi ue selem. Që të gjithë kishin frikë se mos ishin hipokritë”.

    Prandaj, ti o musliman, bëhu i kujdesshëm që mos të biesh nën ndikimin e hipokritëve dhe hipokrizisë, bëj përpjekje më të madhe që ta shtosh sinqeritetin në veprat tua qofshin ato të jashtme apo të brendshme, me plotë dëshirë fale namazin me xhemat dhe shpeshto përmendjen e Allahut. Dijetarët thonë: “Po të kishte qenë dobia e vetme prej përmendjes së Allahut largimi dhe mbrojtja prej hipokrizisë do të mjaftonte”. Bëhu i drejtë kur flet, realizo marrëveshjet, bëhu besnik, bëhu i butë dhe i drejtë gjatë konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, largohu prej dëgjimit të muzikës dhe veglave muzikore se ajo e kultivon hipokrizinë në zemër sikur se uji që i kultivon drithërat dhe kërko prej Allahut dhurimin e besimit të pastër dhe mbrojtje prej hipokrizisë dhe vetive të saj.

    O Zot, mbrona prej hipokrizisë dhe vetive të saj, mbrona prej përçarjeve dhe moralit të keq dhe shtona besimin e pastër dhe diturinë e dobishme.

    Shejh Abdulmelik El Kasim  

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

  • MEDRESEJA E NATËS

    MEDRESEJA E NATËS

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “O ti i mbuluar (o Muhamed)! Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj, që është gjysma ose diçka më pak a diçka më shumë se ajo dhe lexoje Kur’anin ngadalë dhe qartë, sepse Ne do të të dërgojmë vërtet një fjalë me peshë të rëndë”. (El-Muzemil: 1-5)

    Ky mesazh iu dedikua të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, që ta përgatit veten për një fjalë madhështore dhe porosi të rëndë dhe përgatitja e tij të fillojë prej medresesë së natës e cila i hap zemrat, i forcon lidhjet me Allahun dhe ndriçon me dritë.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ishte më i dituri prej njerëzve për Allahun, më i devotshmi, vetmohej dhe e përmendte shumë Zotin e tij, çdo herë që i jepej mundësia e adhuronte Krijuesin e tij, kur afrohej nata i drejtohej të adhuruarit të tij, me lutje e dua, duke iu përulur Atij në këmbë, ulur e në sexhde, derisa afrohej agimi e ai nuk ndjente aspak lodhje prej qëndrimit të gjatë në këmbë. Si të ndjen lodhje kur vetmohej me Allahun, me Sundimtarin e botëve dhe qiejve, Atij i drejtohej për nevojat e veta, ndjente kënaqësi në adhurimin e Tij, dhe Atij i drejtohej me zemrën dhe trupin e tij: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë”. (Es-Sexhde: 16-17)

    Hasan el Basriut, Allahu e mëshiroftë, iu parashtrua një pyetje se pse njerëzit që falen natën janë me fytyrë më të mirë? U përgjigj: “Për shkak se ata u vetmuan me Allahun dhe Ai zbriti mbi ta dritën e Tij dhe i stolisi me të”.

    O robër të Allahut, namazi i natës është adhurim që e lidh zemrën e njeriut për Allahun, e bën zemrën të fortë që t’i përballojë sprovat kalimtare të jetës, të mund nefsin në çastet kur zërat nuk dëgjohen, kur sytë flenë dhe kur ata që janë në gjumë rrotullohen nëpër shtretër. Kjo është arsyeja që namazi i natës është masë e synimit dhe vullnetit të sinqertë dhe virtyt i shpirtrave të mëdhenj. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu)”. (Edh-Dharijat: 17-18)

    Sa të shumta janë dobitë që i merr robi i Allahut prej namazit të natës për ta edukuar veten dhe për ta përmirësuar gjendjen e tij. Prej fryteve më të rëndësishme që i jep ky namaz është kultivimi i sinqeritetit dhe realizimi i pasimit, duke e ndjekur të Dërguarin e Allahut, Muhamedin, alejhi salatu ue selam, i cili falte namaz nate deri sa ju ënjteshin këmbët e tij. Kush e përsiat Kur’anin kur njerëzit flenë do t’i vërejë mangësitë e tij dhe do të pendohet për ato mangësi, kush e përmend Allahun në vetmi dhe i mbushën sytë me lot do ta ringjall Allahu nën hijen e Arshit të Tij, ditë ku nuk ka hije përveç hijes së Tij dhe nuk ka falje e mëshirë përveç faljes dhe mëshirës së Tij.

    O robër të Allahut, namazi i natës mbjell devotshmëri, dhikri i tij mbjell ëmbëlsi, ndërsa në zemër derdh kënaqësi, qetësi dhe dritë. Për këtë arsye një prej selefit thonte: “Banorët e natës (i ka për qëllim ata që falin namaz nate) ndjejnë më shumë kënaqësi në namazin e natës së tyre, se ata që janë dhënë pas dëfrimit në dëfrimin e tyre”.

    Po ashtu, namazi i natës zemrës i dhuron butësi dhe dritë. Ata el Horasani, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Thuhet se namazi i natës është jetë për trupin, dritë në zemër, shkëlqim në sy dhe fuqi në gjymtyrë. Njeriu nëse ngrihet dhe fal namaz nate në mëngjes ngrihet i lumtur dhe atë lumturi e gjen në zemrën e tij, e nëse natën flenë dhe nuk falë namaz nate kur ngrihet në mëngjes ngrihet i pikëlluar e me zemër të thyer, sikurse të kishte humbur diçka dhe me të vërtetë ai i ka humbur gjërat që më shumti bëjnë dobi”.

    Vëllai im musliman, Zoti yt çuditet prej atij që ngrihet për të falur namaz nate. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Zoti ynë çuditet me dy persona: Njeriu që ngrihet prej shtratit dhe familjes e shkon në namaz. Atëherë Allahu thotë: “O ju melekët e Mi, shikojeni robin Tim si është ngritur për namaz dhe e ka lënë shtratin dhe familjen dhe ka ardhur në namaz nga dëshira dhe malli që ta fitojë atë që është tek Unë”.

    Kush dëshiron nder e lartësim le ta fal namazin e natës vazhdimisht dhe mos ta lë atë, sepse Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thoshte: “Dije se lartësimi i besimtarit arrihet me namazin e natës”.

    Namazi i natës është praktikë e njerëzve të mirë, sebep që të afron kah Allahu, shkak për faljen e mëkateve, ndalimin e të keqes dhe largimin e sëmundjeve prej trupit ashtu siç e përmend edhe Pejgamberi, alejhi salatu ue selam: “Faleni namazin e natës, sepse ai është praktikë e njerëzve të mirë para jush, shkak që t’i afroheni Zotit tuaj dhe që t’ju falen mëkatet. Namazi i natës e ndalon të keqen dhe e largon sëmundjen prej trupit”.

    Namazi i natës është shkak për ngritjen e gradave dhe derë e madhe prej dyerve të mirësisë. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha Muadh ibën Xhebelit: A nuk dëshiron të drejtoj kah dyert e mirësisë? Agjërimi është mburojë (nga zjarri i Xhehenemit). Lëmosha e shuan mëkatin ashtu sikur e shuan uji zjarrin. Namazi i njeriut në fillimin e së fundit të natës është simboli i njerëzve të mirë.” Pastaj lexoi i Dërguari, alejhi salatu ue selam, ajetet e Kur’anit: “I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe nga ajo që Ne u kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin. Pra, për ata që kanë vepruar nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim.” (Es-Sexhde: 16-17)

    Muslimani kur largohet prej shtratit të tij në pjesën më të errët të natës dhe merr abdes me ujë të ftohët, pastaj qëndron para Allahut duke e thirrur e duke u lutur në namaz, atëherë Allahu atë e përmend, krenohet para melaqeve me të, e dëgjon pendimin dhe istigfarin e tij, e dëgjon lartësimin dhe madhështimin e Tij në kohë kur njerëzit e tjerë flenë, ndërsa Zoti i njerëzve dhe Krijuesi i tyre nuk fle dhe nuk është i shkujdesur, por thotë: “A ka prej atyre që kërkojnë pendim që t’ua fali atyre”.

    Zoti ynë zbret në qiellin e dynjasë për çdo natë pasi të mbetet një e treta e fundit të natës dhe i përgjigjet thirrjes së thirrësit, ia plotëson nevojën nevojtarit dhe ia fal gjynahet mëkatarit. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Zbret Allahu i Lartësuar në gjysmën e natës apo në një të tretën e fundit prej saj dhe thotë: “Unë jam Sundimtari. Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush kërkon prej Meje që t’ia jap? Kush kërkon falje që ta fal atë? Kështu derisa të hyjë sabahu apo të mbarojë namazi i sabahut”.

    Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se e kam dëgjuar Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, duke thënë: “Vërtet gjatë natës ka një moment që nuk ia qëllon njeriu musliman duke iu lutur Allahut nga të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër vetëm se Allahu i përgjigjet dhe kjo për çdo natë”.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, kur e përmendi Xhenetin tha: “Në Xhenet ka dhoma ku pjesa e jashtme e saj shihet prej brenda dhe pjesa e brendshme e saj shihet prej jashtë.” Ebu Musa el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha për cilin janë përgatitur ato, o i Dërguar i Allahut? Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: “Allahu i ka përgatitur ato për atë që ndan ushqim, flet fjalë të buta, agjëron ditën dhe falet natën kur të tjerët janë në gjumë”.

    Një njeri i kishte thënë Hasan el Basriut: “O Ebu Seid! Unë bie të fle shëndosh e mirë dhe dëshiroj të fali namazin e natës dhe të përgatitem për abdes, atëherë çfarë kam që nuk po mund të falem?” Ai iu përgjigj: “Të kanë lidhur mëkatet e tua!”

    Fudajl ibën Ijadi ka thënë: “Nëse nuk mundesh të falesh natën dhe të agjërosh ditën, dije se je penguar dhe ke lakuar prej rrugës. Pra, të kanë larguar prej rrugës mëkatet tua”.

    Nëse nuk mundesh që t’ia japish hakun namazit të natës, atëherë bëhu siç thoshin disa prej selefit: “Nëse nuk mundësh të falësh namaz nate atëherë mos i bën mëkat Zotit tënd gjatë ditës”.

    Sehl ibën Sad, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se një ditë i erdhi Xhibrili, alejhi selam, Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, dhe i tha: “O Muhamed, jeto sa të duash se një ditë do vdesësh, duaj kë të duash se një ditë do ndahesh prej tij, puno çfarë të duash se një ditë do shpërblehesh për atë çfarë ke bërë, dhe dije se lartësimi i besimtarit arrihet me namazin e natës dhe krenaria e tij është duke mos pasur nevojë për njerëzit”.

    E lus Allahun të na bëj dobi mua dhe juve me udhëzimin e Kur’anit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

    Shejh Dr. Abdulbarij Thubejti

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

     

  • SHKAQET E ZBRITJES SË BEREQETIT

    SHKAQET E ZBRITJES SË BEREQETIT

    Njeriu në këtë botë shumë lakmon që t’i shtohet në kohë, në jetë, në pasuri, në fëmijë dhe në të gjitha gjërat e dashura të tij, të cilat ai i mendon se janë shkak i lumturisë së tij në dynja. Prandaj muslimani i lutet Allahut që ta bekon dhe Po ashtu Profeti, salallahu alejhi ue selem, kërkonte prej Allahut ta bekojë në shumë çështje. Me bekim (bereqet) nënkuptojmë zbritjen e mirësisë hyjnore në ndonjë gjë. Zbritja e saj jep fryte madhështore, pakicën e shton, shumicën e bën të dobishme, ndërsa prej fryteve më të mëdha të bekimit në të gjitha çështjet është përdorimi i tij në adhurimet ndaj Allahut.

    Kush e mediton gjendjen e njerëzve të mirë dhe dijetarëve të dalluar do ta vëren bereqetin haptazi në jetën e tyre. E sheh ndonjërin prej tyre i cili ka të hyra materiale si të tjerët, se si Allahu i dërgon bereqet në pasuri, nuk shpenzon pa mos patë dobi dhe gjendja e tij është stabile pa borxhe. E sheh tjetrin se si Allahu i çon bereqet në vajzën e tij, e respekton prindin, e mbron nderin dhe kur të martohet i lind nipa të cilët i bëhen kënaqësia e syve të tij. E sheh tjetrin se si kohën e tij e shfrytëzon në adhurime dhe në vepra të dobishme, sikurse orët e ditës së tij të jenë më të gjata se sa orët dhe ditët e njerëzve tjerë.

    Në anën tjetër medito gjendjen e atyre të cilëve Allahu nuk u zbret bereqet. E sheh ndonjërin se si posedon miliona, mirëpo ditën e sheh të pikëlluar dhe të lodhur, e natën nuk bën gjumë duke llogaritur dhe duke menduar për pasurinë e tij. E sheh tjetrin se si posedon makinë luksoze, mirëpo është vizitor i shpeshtë i automekanikut, sa del prej te njëri hyn tek tjetri. E sheh tjetrin se është prind i shumë fëmijëve, por ata i gjen armik të prindit të tyre, nuk e respektojnë, prindi nuk dëgjon prej tyre vetëm se të keqen dhe nuk vëren në sytë e tyre vetëm se një pyetje, se kur do të lirohemi prej teje?

    Allahu kur e zbret bereqetin përfshin çdo gjë: pasurinë, fëmijën, kohën, punën, prodhimin, gruan, diturinë, kafshën, shtëpinë, mendjen, gjymtyrët, shokun, e shumë gjëra tjera, prandaj edhe kërkimi i tij bëhet shumë i rëndësishëm dhe i patjetërsueshëm.

    Parashtrohet pyetja se si të arrijmë deri tek bereqeti?

    Gjërat më kryesore që na e mundësojnë fitimin e bereqetit me lejen e Allahut janë:

    Devotshmëria, e cila është çelësi i çdo të mire:

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka”. (El-A’raf: 96); “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret”. (Et-Talak: 2-3)

    Prej të parëve tanë kanë ardhur disa shprehje të cilat kanë sqaruar këtë fjalë, por të gjitha sillen rreth një kuptimi. E ajo është, që njeriu të kryej atë të cilën ia ka obliguar Allahu dhe të largohet nga ajo të cilën ia ka ndaluar Allahu, që të jetë kjo mbrojtje për njeriun nga dënimi i Allahut.

    Nga Aliu kanë ardhur transmetime, i cili e ka sqaruar kuptimin e devotshmërisë duke thënë: “Devotshmëri është frika prej Allahut, veprimi me Kur’an, kënaqësia me pakë, dhe përgatitja për botën tjetër”.

    Po ashtu është definuar si: “Të veprosh në bindje ndaj Allahut, duke shpresuar në mëshirën e Tij prej një drite prej Tij dhe t’i lësh veprat e mosbindjes duke pasur frikë Allahun prej një drite prej Tij”.

    Janë ankuar disa tek një njeri i mirë se çmimet e mallrave janë rritur. Ka thënë: Zbritni ato me devotshmëri.

    – Leximi i Kur’anit:

    Kur’ani është libër i bekuar, është shërim për zemrat e sëmura dhe ilaç i sëmundjeve të trupit. Allahu, azze ue xhel, thotë: Ky (Kur’an) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët”. (Sad: 29)

    Pra, veprat e mira janë shkak i fitimit të mirësisë dhe bereqetit.

    – Duaja:

    Profeti, salallahu alejhi ue selem, kërkonte bereqet në shumë gjëra. Një prej lutjeve që na mësoi është ajo për të martuarit, ku muslimani duhet të thotë: “Allahu të bekoftë ty edhe pasardhësit e tu dhe ju bashkoftë ju të dy në të mirë”.

    Po ashtu na mësoi lutjen për atë që na ushqen: “O Zot, bekoji në atë që i ke furnizuar, fali mëkatet e tyre dhe mëshirojë ata”.

    E shumë lutje tjera të dobishme për jetën dhe ahiretin e muslimanëve.

    – Sinqeriteti në shitblerje:

    Profeti, salallahu alejhi ue selem, thotë: Shitblerësit kanë të drejtë zgjedhjeje derisa s’janë ndarë. Si të kishin qenë të sinqertë në shitblerjen e tyre, Allahu do t’iu zbret bereqet në atë tregti. Si ta kishin fsheh ndonjë mangësi të mallit ose ta kishin mashtruar njëri-tjetrin, Allahu do ta largon bereqetin e asaj tregtie”.

    – Realizimi i veprave herët në mëngjes:

    Profeti, salallahu alejhi ue selem, bëri lutje për bekim për ata që fillojnë të veprojnë herët në mëngjes.

    Sahr el Gamedij, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: O Allah, bekoje Umetin tim kur e nisin (një punë) herët!”

    Sahri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte tregtar dhe çdo herë i urdhëronte punëtorët e tij ta fillojnë punën herët në mëngjes, kështu që iu shtua pasuria aq shumë sa që nuk dinte ku ta deponon.

    Një prej selefit thoshte: Çuditem me atë i cili e fal namazin e sabahut pas lindjes së diellit, se prej nga i vjen furnizimi?!

    – Pasimi i Sunetit në çdo çështje:

    Pasimi i Sunetit nuk sjell përveç se mirësi. Prej haditheve që flasin rreth saj e veçojmë: Bereqeti (begatia) zbret në mes të pjatës me ushqim e hani nga skajet e mos filloni nga mesi i saj”.

    Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka urdhëruar që gjatë ngrënies të lëpihen gishtat dhe të fshihet ena me ushqim dhe ka thënë: “Vërtet ju nuk e dini se ku është bereqeti”.

    (Në një transmetim tjetër të tij thuhet: “Kur t’i bjerë në tokë kafshata e ushqimit ndonjërit prej jush, le ta marrë, le t’ia shkundë pluhurin, pastaj le ta hajë dhe të mos ia lërë djallit: askush prej jush të mos i fshijë duart me shami para se t’i lëpijë gishtat e vet, sepse nuk e di në cilin prej ushqimeve të tij është bereqeti”.)

    – Mbështetja e sinqertë në Allahun, azze ue xhel:

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai”. (Et-Talak: 3)

    Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: Sikur ju të mbështeteshit në Allahun me mbështetje të njëmendtë, do t’ju furnizonte siç i furnizon shpezët, gdhijnë të uritur, ndërsa ngrysen të ngopur”.

    – Kërkimi i mbarësisë prej Allahut në çdo çështje:

    Robi duhet të kërkojë mbarësi prej Allahut, ta pranojë dhe t’i mbështetet zgjedhjes së Allahut e jo zgjedhjes së tij, për shkak se ajo është më e mirë për dynjanë dhe ahiretin e tij.

    Duaja e Istihares është transmetuar nga Xhabir ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë se: Profeti, alejhi selam, na mësonte të bëjmë Istiharen për gjithë çështjet tona, ashtu siç na mësonte suret e Kur’anit. Na thoshte Profeti, alejhi selam: “Nëse ndonjëri prej jush mendon të bëjë diçka, le ti falë dy rekate namaz (jo prej namazit farz) dhe të thotë (pas namazit) duanë e Istihares: “O Zoti im, me diturinë Tënde kërkoj mbarësi. Kërkoj ndihmë prej fuqisë Sate; kërkoj nga të mirat e Tua të shumta, sepse Ti ke mundësi, kurse unë s’kam mundësi, Ti di çdo gjë, kurse unë nuk di, Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zot, nëse kjo punë imja (emërton nevojën e tij), është e dobishme për fenë time dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, ma mundëso realizimin e saj, ma lehtëso mua këtë dhe më beko në të. E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, largoje këtë nga unë dhe më largo mua nga kjo e më përcakto mirësinë (mbarësinë) kudo që të jetë dhe më bë të jem i kënaqur me të”.

    (Imam Neveviu thotë: “Pas Istihares duhet ta bëjmë atë çështje për të cilën na hapet zemra dhe nuk bazohemi në atë që kemi pasur dëshirë para se të falnim namazin. Prandaj kërkohet nga ne që ta ndërpresim zgjedhjen dhe të mos mendojmë për të derisa ta falim namazin e nëse nuk e bëjmë kështu, atëherë nuk numërohet se ne i jemi drejtuar Allahut me sinqeritet që të na zgjedhë çështjen që është më e mirë për ne.”)

    – Shpenzimi dhe lëmosha:

    Shpenzimi në rrugë të Allahut dhe lëmosha janë shkaqe për shtimin e riskut, ashtu siç na njofton Allahu, azze ue xhel: Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë”. (Es-Sebe’: 39)

    Në një hadith Kudsij: “Allahu, azze ue xhel, thotë: “O biri i Ademit shpenzo, që të shpenzoj Unë për ty”.

    – Largimi prej pasurisë haram:

    Largimi prej pasurisë së fituar në mënyrë të palejuar, edhe atë prej të gjitha pamjeve dhe formave që i merr ajo pasuri, është shkak i humbjes së bereqetit në pasuri. Allahu, azze ue xhel, thotë: Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë”. (El-Bekare: 276)

    – Falënderimi dhe mirënjohja për begatitë e dhëna:

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia”. (Ibrahim: 7)

    – Falja e namazeve të detyruara:

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut”. (Ta Ha: 132)

    – Vazhdimësia në istigfar:

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “E u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj! “. (Nuh: 10-12)

    E lus Allahun të na begatojë në atë çka e posedojmë dhe të na mundëson të bëhemi prej atyre që i kërkojnë shkaqet të cilat e rrisin bereqetin.

    Shejh Dr. Abdulmelik El Kasim 

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • SHTATË VEPRA TË BARABARTË NË VLERË ME HAXHIN APO UMREN APO ME DYJA BASHKË

    SHTATË VEPRA TË BARABARTË NË VLERË ME HAXHIN APO UMREN APO ME DYJA BASHKË

    1. Të qëndruarit në xhami pas namazit të sabahut e deri në lindjen e diellit, pastaj falja e dy rekateve

    – Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e fal sabahun me xhemat (në xhami) pastaj ulet dhe e përkujton Allahun derisa të lind dielli e pastaj fal dy rekate, ai fiton shpërblimin sikur te ketë kryer Haxh dhe Umre. Tha Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: Të plotë, të plotë, të plotë!”. 

    1. Prezenca në namazin me xhemat dhe ecja në këmbë për në xhami për të falur namaz vullnetar

    – I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush shkon në xhami që të falë namaz (farz), ajo është sikur Haxhi dhe kush shkon të falë nafile ajo është sikur Umreja”.

    1. Falja e namazit të jacisë dhe sabahut me xhemat

    – Ebu Dheri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se erdhën disa njerëz te i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i thanë: O i Dërguar i Allahut, pasanikët po na tejkalojnë në shpërblime!! Ata falen si ne, agjërojnë si ne, dhe japin lëmoshë nga pasuritë e tyre! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, iu përgjigj: “Po ju, a nuk ua bëri Allahu faljen e namazit të jacisë me xhemat ta barazon Haxhin, dhe namazin e sabahut me xhemat ta barazon Umren?!”.

    1. Prezenca në mexhliset e dijes në xhami

    – Ebi Umameh, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush shkon në xhami dhe me atë nuk synon vetëm se marrjen e diturisë apo mësimin e të tjerëve, e ka shpërblimin e një Haxhi të plotë”.

    1. Bërja e dhikrit pas namazit farz

    – Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se një ditët erdhën disa nga shokët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i thanë: “O i Dërguar i Allahut, pasanikët na tejkaluan në shkallë dhe me bekime të vlefshme; falen sikur falemi ne, agjërojnë sikur që agjërojmë ne dhe me pasuritë që i kanë, e bëjnë Haxhin dhe e kryejnë Umren, bëjnë xhihad dhe japin lëmoshë! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u tha: “A dëshironi t’ju mësoj diç­ka me të cilën do t’i arrini ata që ju kanë tejkaluar dhe ata që vij­në pas jush; nëse këtë e bëni, askush nga ju nuk do të jetë më i vlef­shëm, përveç nëse vepron ç’veproni edhe ju”. Muhaxhirët varfa­njakë kanë thënë: “Po, gjithqysh, o i Dërguar i Allahut!”. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u tha: “Do të thoni SubhanAllah, Elhamdulilah dhe Allahu ekber pas çdo namazi nga tridhjetë e tri herë”.

    1. Kryerja e Umres në Ramazan

    – Është transmetuar nga ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha një gruaje nga mesi i ensarëve: “Çfarë të ndaloi që nuk bëre Haxh me ne?” Ajo tha: “I kishim vetëm dy deve të cilat i përdornim për të sjellë ujë (d.m.th. burri i saj dhe djali kishin shkuar për Haxh në një deve dhe tjetrën ua kishte lënë familjes për të sjellë ujë).” Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kur të vjen Ramazani, shko për Umre, sepse Umreja në Ramazan është e barabartë me Haxhin”.

    Sipas një transmetimi tjetër: “… është e barabartë sikur të bëhej Haxhi me mua”.

    1. Respektimi i prindërve

    – Ka ardhur një person tek Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i tha: “Me të vërtetë unë kam dëshirë për të luftuar, mirëpo nuk po kam mundësi. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “A e ke ndonjërin prej prindërve gjallë?”. Ai tha: “Po, e kam nënën time”. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, iu përgjigj: “Ndreqni marrëdhëniet me Allahun duke i respektuar prindërit. Nëse e bën një gjë të tillë (nëse i respekton prindërit) atëherë ti ke bërë Haxhin, Umren dhe xhihadin”.

    Përshtati dhe përktheu: Irfan JAHIU

  • SHTËPIA E MUSLIMANIT

    Falënderimi i takon vetëm se Allahut dhe paqja dhe lavdia qofshin mbi Muhamedin, birin e Abdullahut dhe robin dhe të Dërguarin e Allahut.

    O ju muslimanë, e porosis veten dhe juve me devotshmëri ndaj Allahut: O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!”. (Ali Imran: 102)

    Zakonisht në këtë periudhë të vitit shpeshtohen lidhjet martesore. Nëpërmjet martesës realizohen dëshirat e të rinjve, djemve dhe vajzave, në ngritjen e një shtëpie muslimane të lumtur, ku do të gjejnë strehimin dhe qetësinë shpirtërore dhe më vonë në brendësinë e kësaj shtëpie do të rritet një brez i ri, i pastër dhe i veçantë, nën hijen e prindit mbrojtës dhe nënës së dashur.

    Cilat janë veçoritë e kësaj shtëpie? Cila është metodologjia e saj? Dhe si realizohet lumturia në të?

    Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë”. (Er-Rum: 21)

    Shtëpia është begati të cilës nuk ia di vlerën vetëm ai që e ka humbur dhe ka jetuar nëpër kampe apo në burgje të errëta apo ka bredhur nëpër rrugë apo fusha. Allahu i Madhëruar thotë: Allahu ju ka dhënë shtëpi për të banuar”. (En-Nahl: 80)

    Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Allahu përmend begatitë e Tij që ia ka dhuruar robit, prej këtyre begative është edhe shtëpia që është vend ku banojnë, mbrohen dhe në të cilën kanë shumë dobi”.

    Shtëpia e muslimanit është amanet që e bartin mbi supet e tyre të dy bashkëshortët. Ata dy janë bazamenti i ngritjes së saj dhe nëpërmjet tyre shtëpia e përcakton rrugën e saj. Nëse ata përqendrohen sipas fesë së Allahut, në thënie dhe vepra, stolisen me petkun e devotshmërisë, në të jashtmen dhe të brendshmen, dhe zbukurohen me moral të mirë dhe virtyte të larta, ajo shtëpi do të bëhet vendstrehim i ndritshëm dhe në të do të përhapet mirësia dhe aty do të kaliten breza të mirë dhe të devotshëm, nga të cilat breza do të përfitojnë prindërit, shoqëritë dhe Umeti në përgjithësi.

    O ju bashkëshortorë, shtëpia juaj është kala nga kalatë e kësaj feje dhe çdo njëri nga ju qëndron pranë vrimave të saj që të mos dalin nga ato ndonjë armik. Ju të dy bashkërisht jeni rojtar të kalasë. Ai që e udhëheq shtëpinë është burri, kurse respekti i tij është detyrim. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Secili prej jush jeni përgjegjës për atë që ju është dhënë në pronësi”, dhe tha “gruaja është përgjegjëse për shtëpinë e burrit të sajë dhe do të pyetët për të”.

    Shtëpia e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është shëmbëlltyra më e mirë në tërë rruzullin tokësor. Ajo është shtëpi profetike, larg dëfrimeve dhe të kotës, e thjeshtë, larg jetës luksoze, mirëpo e mbushur me adhurime dhe lexim të Kur’anit dhe të përmendurit e Allahut.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u dha grave të tij mundësi të zgjedhin, pa i detyruar në të, mes jetës së kësaj bote dhe bukurisë së saj dhe mes Allahut dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe ahiretit: O i Dërguar! Thuaju grave tuaja: “Nëse dëshironi jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, ejani, unë do t’ju lë të kënaqeni për ca kohë dhe do t’ju lëshoj si është më mirë. Por, nëse dëshironi Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, dijeni se Allahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë vepra të mira”. (El-Ahzab: 28-29)

    Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se të gjitha gratë pohuan se, e zgjedhim Allahun dhe të Dërguarin e Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe ahiretin.

    Shtëpia e muslimanit e cila u ngrit nga brezi i parë, Islamin e mori si rrugë e thënieve dhe veprave të saj. Jetën në të e ngjyrosi me dritën e imanit dhe moralin e huazoi nga Kur’ani. Nga ajo shtëpi dolën shëmbëlltyra të rralla islame, të cilët i shënuan faqet më të bukura dhe më të shtrenjta të historisë. Ato shtëpi të asaj kohe nxorën trima e luftëtar, dijetar dhe asket, udhëheqës të drejtë, fëmijë që i respektojnë prindërit dhe gra të ndershme dhe adhuruese të Allahut.

    Të tilla janë ato shtëpi që janë të ngritura mbi bazat e imanit dhe udhëzimit dhe të ndikuara nga Kur’ani.

    Shtëpia e muslimanit, e pastër dhe e devotshme, është mbrojtje për natyrshmërinë e njeriut nga devijimi. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e Islamit, ndërsa janë prindërit e tij që më vonë e bëjnë të krishterë, çifut ose zjarrputist”.

    Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Shumica e fëmijëve kanë devijuar si shkak i prindërve të tyre, të cilët i neglizhuan dhe i lanë anësh duke mos ua mësuar detyrimet fetare dhe rregullat e saj. I humbën të vegjël, më vonë vetes nuk i bën dobi dhe as prindërve të tyre kur u rritën”.

    A ka më mirë sesa prindi t’i mbledh fëmijët në shtëpi dhe t’u lexojë atyre Kur’an dhe t’u rrëfen për historitë e pejgamberëve dhe t’ua mbjell në zemër virtytet më të larta.

    Më primaren nga gjërat dhe më të lartën nga porositë që ia jep shtëpia e muslimanit shoqërisë është edukimi i fëmijëve dhe formimi i një brezi të pastër dhe të fortë. Nuk ka vlerë edukata dhe nuk lë gjurmë këshilla, përveç se me realizimin e shëmbëlltyrës së mirë te prindërit. Shëmbëlltyrë në adhurim, në moral, në thënie e vepra dhe në pamje. Allahu i Madhëruar thotë: edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”. (El-Furkan: 74)

    Meditoje lutjen e Ibrahimit, alejhi selam: O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!”. (Ibrahim: 40); Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut”. (Ta Ha: 132)

    Në mungesë të shtëpisë muslimane të qetë dhe të pastër, vjen devijimi, përhapet krimi, rritet numri i narkotikëve dhe i vetëvrasjeve.

    Ajo shtëpi ku në të nuk mbjellët imani dhe nuk përqendrohet mbi baza të Kur’anit, prodhon elemente që jetojnë jetë me shqetësime shpirtërore, humbje të intelektit dhe shkatërrim të moralit.

    Mosrespektimin e prindërve që e shohim sot nga disa fëmijë dhe marrëdhëniet e humbura mes të rinjve si dhe lënia e përgjegjësive dhe largimi nga feja e Allahut dhe rebelimi nga parimet dhe bazat e shëndosha, janë rezultat i shtëpisë e cila ka qenë e shkujdesur në edukimin e shëndoshë të fëmijëve dhe janë pasqyrë e një familjeje të shkapërderdhur mes vete.

    Ajo shtëpi e cila i bën ligjet e Islamit bazament të saj, nga ajo pritet të dalin fëmijë, të cilët do ta japin kontributin e tyre për shoqërinë në veçanti dhe për Umetin në përgjithësi.

    Nga veçoritë bazë të shtëpisë së muslimanit është se ajo për çdo çështje ku në të ka mospajtim, i kthehet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, sado qoftë madhësia e saj, ajo shtëpi e pranon dhe është e kënaqur me gjykimin e Allahut: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur”. (El-Ahzab: 36)

    Lumturia dhe kënaqësia dhe jeta në shtëpinë e muslimanit, burojnë nga të përmendurit e Allahut. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, përcillet të ketë thënë: “Shembulli i asaj shtëpie ku përmendet Allahu dhe shembulli i asaj shtëpie ku nuk përmendet Allahu, është si shembulli i të gjallit dhe të vdekurit”.

    Dhe të ketë thënë: “Faleni namazin (vullnetar) në shtëpitë e juaj dhe mos i bëni ato si varreza”.

    Dhe të ketë thënë: “Mos i bëni shtëpitë e juaja varreza, në atë shtëpi ku lexohet surja Bekare ik shejtani nga ajo”.

    Dhe të ketë thënë: “Faleni namazin në shtëpitë e juaja, namazi më i mirë është ai falet nëpër shtëpi, përveç farzit”.

    Këto hadithe dhe të tjerat gjithashtu aludojnë në ligjësimin e ngjalljes së shtëpive të muslimanëve dhe të ndriçuarit e tyre me të përmendurit e Allahut dhe me faljen e namazit vullnetar. Nëse ato shtëpi janë të mangëta nga të përmendurit e Allahut dhe nga namazi vullnetar, atëherë shndërrohen në varre dhe të egra edhe nëse ato janë pallate të bukura. Mos përmendja e Allahut dhe mos leximi i Kur’anit nëpër shtëpi, ato i bën vendbanime të shejtanëve, banorët e saj me zemra të vdekur edhe pse ata janë me trupa të gjallë.

    Nga veçoritë e shtëpisë së muslimanit është bashkëpunimi i anëtarëve të familjes në adhurime dhe nënshtrime. Imanin e dobët të burrit e forcon gruaja dhe sjelljen e shtrembër të gruas e përmirëson burri. Kështu arrihet deri të përsosmëria dhe shoqërimi, këshilla dhe përkrahja.

    Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “ I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, falej natën dhe pasi që e falte namazin e vitrit thoshte: “Oj Aishe, ngrihu dhe fale vitrin”.

    Dhe tha: “E mëshiroftë Allahu njeriun, i cili ngrihet për të falur namaz nate dhe e zgjon edhe gruan e tij për të falur, e nëse ajo refuzon, e stërpikë fytyrën e saj me ujë. E mëshiroftë Allahu atë grua, e cila ngrihet për të falur namaz nate dhe e zgjon edhe burrin e saj për të falur, e nëse ajo refuzon, e stërpikë fytyrën e saj me ujë”.

    Dy hadithet e fundit aludojnë se edhe burri edhe gruaja kanë rolin e tyre në përmirësimin e njëri-tjetrit dhe të nxitjes së njëri-tjetrit në adhurime. Kjo, sepse lidhja mes tyre në bazë është imanore dhe ata njëri-tjetrit ia shtrijnë dorën e përkrahjes dhe ndihmës.

    Shtëpia e muslimanit formohet mbi dituri dhe vepër. Dituri e cila e drejton kah rruga e drejtë dhe ia qartëson rrugën e zjarrit të Xhehenemit, dituri mbi etikën e pastërtisë dhe dispozitave të namazit dhe etikës se kërkimit të lejes për hyrje dhe hallallit dhe haramit. Kjo shtëpi nuk i injoron dispozitat e fesë, po ato vetëm se i shton dhe vepron me to.

    Nga veçoritë e shtëpisë së muslimanit është turpi. Me të shtëpisë i mbrohet ekzistenca nga shigjetat e shthurjes dhe mjeteve të sherrit, të cilat tentojnë ta lëndojnë dhe nga ajo turpin ta largojnë. Filmat, serialet, muzikat, alkooli, zhveshja e grave janë vetëm disa nga mjetet dhe armët e tyre, nëpërmjet të cilave dëshirojnë që gruas mbulesën t’ia largojnë dhe nderin e saj ta shkatërrojnë.

    Nga veçoritë e shtëpisë së muslimanit është se fshehtësitë e saj janë të ruajtura, mosmarrëveshjet mes tyre të fshehura, nuk përhapet dhe nuk flitet për to. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Nga njerëzit më të këqij në pozitë në Ditën e Kiametit tek Allahu është ai burrë që i afrohet gruas dhe ajo grua që i afrohet burrit të saj, e pastaj i përhapin fshehtësitë që ndodhin mes tyre”.

    Shtëpia e muslimanit i ngrit marrëdhëniet e saj me shoqërinë sipas bazave të imanit. Ajo shton nga drita me vizitën e saj që ia bëjnë njerëzit e mirë dhe dijetarët. Besimtari është sikurse bartësi i miskut, i cili ose të jep nga ai miskë, ose të nxit ta blesh ose nuhat nga era e tij: O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret, ndërsa keqbërësve shtoju vetëm shkatërrim!”. (Nuh: 28)

    Nuk hyn në shtëpinë e muslimanit ai njeri, anëtarët e së cilës nuk janë të kënaqur nga feja e tij. Hyrja e njeriut të ligë në shtëpi, shtëpinë e ligë dhe e shkatërron duke i bartur fjalët, apo duke përgojuar apo duke i bërë dëm, duke i bërë magji apo duke vjedhur nga ajo.

    Anëtarët e shtëpisë së muslimanët bashkëpunojnë mes veti dhe i kryejnë bashkërisht detyrat e shtëpisë. Ne model e kemi të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ku për të thotë Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të: Ishte njëri prej njerëzve, pastronte rrobat e tij, milte delen e tij dhe shërbente vetveten.

    Me një transmetim: “I qepte rrobat e tij, arnonte këpucët, nallanet dhe bënte atë bëjnë burrat në shtëpi”.

    Me një transmetim: “Shërbente familjen e tij, kurse kur vinte koha e namazit, dilte për të falë namazin”.

    O muslimanë, nëse nga ne kërkohej që ta zgjedhim nga dynjaja më të bukurën, të gjithë do të zgjidhnin të jenë të lumtur në mesin familjar.

    Kjo lumturi në shtëpinë e muslimanit nuk realizohet me posedimin e shtëpisë së bukur dhe mobileve të shtrenjta dhe rrobave të shtrenjta. Kjo është bindje e gabuar.

    Lumturia arrihet me realizimin e devotshmërisë tek bashkëshortët dhe frika nga mbikëqyrja e Allahut në publik dhe në vetmi. Lumturia realizohet kur të dy bashkëshortët e shohin martesën si adhurim, ku nëpërmjet saj i afrohen Allahut, sipas realizimit të detyrimeve bashkëshortore me sinqeritet dhe bindje.

    Nën hijen e këtyre kuptimeve ngrihet shtëpia e lumtur e muslimanit, në të cilën adhurohet Allahu, falet namazi dhe lexohet Kur’ani. Shtëpi ku mbisundojnë dashuria dhe afërsia dhe rriten breza të mira të cilat do të jenë kënaqësia e syve të prindërve dhe burim i tyre për çdo të mirë të dynjasë dhe ahiretit: Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë”. (En-Nahl: 97)

    Shejh Abdulbarij Thubejti

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • SI MOS TË DUHET ALLAHU?

    SI MOS TË DUHET ALLAHU?

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e pejgamberëve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin biri i Abdullahut dhe rob i Allahut.

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: “Dojeni Allahun për shkak të atyre begative me të cilat ju ushqen”.

    O robër të Allahut, dashuria zhvillohet nga bamirësia dhe njohja e begative. Zemrat janë të krijuara që ta duan atë që sillet mirë me të dhe ta urrejnë atë sillet keq me të dhe a ka më bamirës se Allahu i Madhëruar. Bamirësia e Tij ndaj robit është e pranishme në çdo kohë dhe moment dhe robi ato bamirësi i shfrytëzon në të gjitha gjendjet e tij. Nuk ka asnjë mundësi që llojet dhe format e bamirësisë të numërohen dhe mjafton të ceket se një nga llojet e saj është begatia e frymëmarrjes. Njeriu brenda një dite dhe një nate i merr njëzet e katër mijë frymëmarrje e mos të flasim për begatitë tjera që janë më të larta dhe më të mëdha: Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot”. (Ibrahim: 34)

    Robi i Allahut nuk ka ndjenja përplot nga begatitë e dhuruara që e rrethojnë dhe për këtë shpesh i bën padrejtësi vetvetes dhe i mohon begatitë e Allahut dhe prapë Allahu e ruan dhe e mbron nga çdo e keqe dhe nga çdo dëm: “Thuaj: “Kush do t’ju ruajë natën dhe ditën (nga dënimi) i të Gjithëmëshirshmit?”. (El-Enbija: 42)

    I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, me një hadith thotë: “Askush nuk mund te jetë më i durueshëm sesa Allahu për të keqën që ka dëgjuar për vete; pretendojnë se Ai ka fëmijë ndërsa Ai i furnizon dhe iu jep shëndet (apo i mbron nga të këqijat)”.

    Allahu nga bamirësia dhe dashuria ndaj robërve të Tij krijoi çdo gjë në qiej dhe tokë dhe në dynja dhe ahiret, pastaj i banoi në të dhe i fisnikëroi, u dërgoi të Dërguar, u zbriti libra, u ligjësoi ligje, ua lejoi që t’i drejtohen Atij në çdo kohë, u caktoi shpërblim për çdo të mirë që e shumëfishojnë atë prej dhjetë e deri në shtatëqind herë më tepër dhe më shumë, kurse për çdo vepër të ligë ua shkruan vetëm një të keqe, e nëse pendohen nga ato të liga ua fal dhe shndërron në të mira, dhe nëse gjynahet e robit e arrijnë qiellin e pastaj bën istigfar Allahu ia fal, dhe nëse e takon Allahun me mëkate të mëdha sa toka, pastaj e takon Allahun duke mos i bërë ortak në adhurim Ai do të dhuroj falje po aq të madhe.

    Për robërit e Vet e ligjësoi Haxhin që ua fshin të gjitha mëkatet e mëhershme, i mbarësoi për kryerjen e tij dhe nëpërmjet tij ua fali gjynahet, dhe po ashtu ligjësoi adhurime dhe nënshtrime dhe për kryerjen e tyre caktoi shumë shpërblime. I dhuroi robit të Vet pasuri dhe i tha: O robi Im, afrohu kah Unë nëpërmjet saj që ta pranoj. Robi është i Veti, pasuria është e Tij, shpërblimi është nga Ai dhe Ai është dhuruesi fillimisht dhe përfundimisht.

    Si mos të duhet Allahu kur ia dhuroi robit këto mirësi dhe si nuk i vjen robit turp që të harxhojë diçka nga dashuria e tij për dikë tjetër jashtë Allahut. Kush është më meritor që të falënderohet, të madhështohet dhe të duhet se sa Allahu? A ka më fisnik dhe bujar se sa Allahu?

    Allahu gëzohet shumë me pendimin e robit kur i pendohet Atij dhe ia fal gjynahet dhe ia detyron Vetes dashurinë e tij, Ai është i Cili e frymëzoi të pendohet dhe e mbarësoi dhe i ndihmoi në të. I lartësuar është Allahu i Cili i mbushi qiejt e Tij me melekë të cilët i përdor në kërkimin e istigfarit për banorët e tokës dhe i përdori nga to bartësit e Arshit në lutje për robërit e Tij besimtarë dhe për kërkimin e istigfarit për gjynahet e tyre dhe mbrojtjen e tyre nga zjarri i Xhehenemit dhe ndërmjetësimin për ta tek Allahu që të futen në xhenetet e Tij.

    Shikoni këtë përkujdesje, këtë bamirësi, këtë dashuri dhe butësi të plotë të Allahut ndaj robërve të Tij.

    Megjithatë pasi që ua dërgoi të Dërguarit e Tij dhe ua zbriti librat e Tij dhe ua mësoi emrat dhe cilësitë e Tij, Ai zbret për çdo natë në qiellin e dynjasë dhe interesohet për ta, Vet i shqyrton nevojat e tyre dhe i thërret që t’i kërkojnë Atij, e thërret gjynahqarin që të pendohet, të sëmurin që të kërkojë shërim, të varfrin që të kërkojë nga pasuria e Tij dhe nevojtarin që të kërkojë nga Ai çdo natë që t’ia lehtësojë nevojat.

    I thërret në pendim edhe pse i luftuan dhe torturuan dhe i djegën me zjarr evlijat e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: Pa dyshim, ata që i përndjekin besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me djegie”. (El-Buruxh: 10)

    Kurse disa nga selefi thanë se shikoni fisnikërinë e Allahut se si i thërret në pendim edhe pse ata i torturuan evlijatë e Tij dhe i djegën me zjarr.

    Nuk ka rob me zemër të shëndoshë e mos ta donë Allahun kur e di këtë dhe vetëm se ai që ka zemër të sëmurë dhe të ligë dhe të largët nga çdo e mirë nuk ka mundësi ta duan Allahun e tij. Allahu i krijoi zemrat që ta duan bamirësinë e përsosur në cilësitë dhe moralin e tij dhe askush nuk mundet dhe nuk ekziston asnjë mundësi t’i afrohet bamirësisë së Allahut të Madhëruar dhe nuk ka gjë më të përsosur dhe më të bukur sesa Ai. Çdo përsosmëri dhe bukuri në krijim është rezultat i gjurmëve të Tij dhe aludues mbi përsosmërinë e Krijuesit të tij. Si dhe çdo dituri në univers është rezultat i gjurmëve të diturisë së Tij dhe çdo fuqi është rezultat i gjurmëve të fuqisë së Tij.

    Duhet që dashuria e robit ndaj Allahut të jetë më e madhe se çdo gjë tjetër dhe ajo dashuri të jetë aq e fortë saqë mos të ketë mundësi që t’i afrohet asnjë dashuri tjetër. Kush nuk e realizon dashurinë ndaj Tij me dituri dhe vepra nuk e ka realizuar dëshminë se nuk i takon adhurimi me të drejtë askujt përveç se Allahut. Allahu është Ai që adhurohet dhe duhet dhe të Cilin e adhurojnë zemrat me dashuri dhe i nënshtrohen dhe i përulen Atij, i frikohen dhe e shpresojnë Atë, i mbështeten në gjendje vështirësie Atij, i luten dhe qetësohen me përmendjen e Tij dhe rehatohen me dashurinë ndaj Tij dhe kjo nuk ka mundësi të bëhet vetëm se për Allahun dhe askënd tjetër. Për këtë fjala la ilahe il-lAllah është fjala më e sinqertë, ata që e shqiptojnë dhe veprojnë me të dhe i besojnë janë evlijatë e Allahut dhe partia e Tij, kurse mohuesit e saj janë armiqtë e Tij.

    O robër të Allahut, dashuria e vërtetë shfaqet në katër gjendje:

    Gjendja e parë: Kur robi bie në shtratin e tij dhe është i lirë nga preokupimet tjera, ai nuk fle vetëm se duke e përmendur atë që e do dhe zemrën e tij me të e preokupon.

    Gjendja e dytë: Kur zgjohet nga gjumi. Gjëja e parë që robi e vepron kur zgjohet nga gjumi është përmendja e të dashurit të tij që i mungoi gjatë kohës së gjumit së tij.

    Gjendja e tretë: Kur hyn në namaz. Namazi është peshorja e besimit me të cilin peshohet besimi dhe vërtetohet gjendja e tij dhe afërsia e tij me Allahun. Kur ngrihet për në namaz dhe qetësohet në të dhe i kënaqen sytë dhe zemra para qëndrimit të Tij dhe i zgjerohet dhe i qetësohet gjoksi dhe zemra e tij, kjo aludon në dashuri të vërtetë.

    Gjendja e katërt: Gjatë vështirësive dhe sprovave. Zemra në këto gjendje nuk i përmend vetëm se ato gjëra që janë të dashura tek ai dhe nuk ik vetëm se kah ai që e do më së shumti.

    I dashuruari qetësohet me të dashurin e tij në çdo musibet që e godet jashtë tij. Për këtë arsye kur doli ajo grua nga Ensarët në luftën e Uhudit të shikojë se ç’ndodhi me të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, kaloi pranë prindit dhe vëllait të saj të vrarë në luftë dhe nuk u ndal tek ata dhe i kaloi duke thënë se çka bëri i Dërguari i Allahut dhe si është ai? I thanë se ai është mirë dhe i gjallë dhe kur shikoi kah ai tha: O i Dërguar i Allahut, çdo musibet jashtë tëndit është i vogël dhe nuk më intereson për të.

    E njëjta vlen edhe për sprovat e vdekjes dhe asaj që vjen pas saj nga sprovat e Ditës së Kiametit. Të gjitha ato lehtësohen me dashuri kurse sprova dhe musibeti më i madh është sprova e zjarrit të Xhehenemit dhe atë nuk e largon vetëm se dashuria e Allahut të vetëm dhe pasimi i të Dërguarit të Tij, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të.

    Dashuria pra është baza e çdo të mire në dynja dhe ahiret siç e cek edhe Sehnuni: “Na tejkaluan të dashuruarit në nderin e dynjasë dhe ahiretit. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, përcillet se ka thënë: “Njeriu është me atë qe e do”, dhe ata janë me Allahun”.

    Allahu i Madhëruar thotë: “E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre). Sikur keqbërësit të shihnin që tani çastin kur të përballen me ndëshkimin, do ta kuptonin se e tërë fuqia i përket Allahut dhe se dënimi i Tij është fort i ashpër”. (El-Bekare: 165)

    O Zot, bëje dashurinë ndaj teje të jetë më e dashur sesa edhe dashuria ndaj shpirtrave tanë dhe se sa dashuria ndaj ujit të ftohët gjatë etjes së madhe.

    Shejh Muhamed ibën Abdurrahman El Kasim

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • TREGIMI I MUSAIT ME HIDRIN, alejhima selam

    TREGIMI I MUSAIT ME HIDRIN, alejhima selam

    Të gjitha tregimet në Kur’an dhe Hadithet e vërteta janë të sakta dhe reale. Ato na rrëfejnë dhe qartësojnë të gjitha ndodhitë siç kanë ndodhur, pa mangësi apo tepricë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ne po ta tregojmë ty historinë e tyre sipas së vërtetës.” (El-Kehf: 13); “Pa dyshim, të gjitha këto janë rrëfime të vërteta.” (Ali Imran: 62)

    Allahu, azze ue xhel, e urdhëroi të Dërguarin e Tij, t’ua rrëfejë njerëzve atë çka ia mësoi atij prej tregimeve, që ndoshta ata do ta meditojnë gjendjen e popujve të mëhershëm, e do të marrin mësime prej jetës së tyre dhe do të largohen prej rrugës së tyre në rast se ishin zullumqar, e do t’i pasojnë ata në rast se ishin në rrugë të drejtë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Tregoju atyre këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.” (El-A’raf: 176); “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kur’an) nuk është tregim i trilluar.” (Jusuf: 111)

    Padyshim se një prej tregimeve më të bukura që Allahu e cek në Kur’an është tregimi i Musait me Hidrin, alejhima selam. Ky tregim përçon parime dhe koncepte plot vlera e domethënie, prandaj vendosa që të flas rreth tij dhe t’i përmendi disa dobi që i kanë nxjerr dijetarët prej këtij tregimi.

    Musai, alejhi selam, një ditë prej ditëve ligjëronte ne mesin e Beni Israilëve, dhe prej këshillave të tij zemrat e tyre zbuteshin, sytë e tyre lotonin. Kështu ishte gjendja e gjithë popujve kur u këshillonin nga pejgamberët e tyre, për shkak se shpirtrat dhe zemrat e pejgamberëve ishin të mbushura me frikë dhe dashuri ndaj Allahut.

    Pasi që kryhet ligjërata, një njeri prej Beni Israilëve i drejtohet Musait, alejhi selam, dhe e pyet: “O Musa, a ekziston njeri më të mençur se ti? “ – Musai, alejhi selam, duke mos menduar aspak i thotë: “Jo, nuk ka njeri në këtë rruzull tokësor më të mençur se unë.”

    Kjo përgjigje e Musait nuk ishte prej mendjemadhësisë, por ishte një realitet. Ai ishte njëri prej pejgamberëve më të mëdhenj dhe më të dalluar, i treti me vlerë pas Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, dhe Ibrahimit, alejhi selam. Ishte i Dërguari i një populli të madh dhe të zgjedhur, iu dha Teurati i cili ishte dritë dhe udhëzim, dhe të cilin Allahu, azze ue xhel, e shkroi me dorën e Tij. Pastaj ishte ai që i foli Allahu te kodra Tur, dhe i dhuroi dituri të mjaftueshme, mirëpo edhe në rast se dituria e një njeriu është e madhe, prej edukatës është që kur të pyetet njeri si kjo pyetje, duhet të jetë modest para Allahut dhe të përgjigjet se Allahu e di më së miri se cili është më i mençuri në tokë.

    Prandaj, Allahu, azze ue xhel, e kritikoi Musain, alejhi selam, dhe ia bëri me dije se ekziston një njeri në një vend ku takohen dy detet, dhe i cili është më i ditur se ti. Musai, alejhi selam, kur e kupton këtë realitet, vendos që ta merr rrugën dhe ta takon atë njeri. E pyet Allahun se si të arrijë deri tek ai, Allahu, azze ue xhel, e urdhëron që të merr me vete një peshk dhe ta vendos në shportë dhe në atë vend ku do ta humb peshkun, atje është vendqëndrimi i atij njeriu të cilin e kërkon.

    Musai e merr peshkun e vendos në shportë dhe me vete e merr një djalosh, të cilin Allahu, azze ue xhel, nuk ia përmendi emrin në Kur’an, por në disa hadithe është cekur se ai ka qenë Jusha ibën Nun, i cili do të jetë pejgamber i Beni Israilëve pas vdekjes së Musait, alejhi selam.

    Musai, alejhi selam, i drejtohet djaloshit që e shoqëronte dhe i thotë:

    “Nuk do të pushoj së ecuri, derisa të arrij në vendin ku takohen dy detet, edhe nëse do të më duhet të udhëtoj për shumë kohë.” (El-Kehf: 60) Prej këtij ajeti shihet qartë vendosmëria e Musait që të kalojë një rrugë shumë të gjatë vetëm ta takojë atë njeri dhe të merr dituri prej tij. Mund të themi se Musai, alejhi selam, e meriton të jetë model për të gjithë kërkuesit e diturisë.

    Abdurrahman es Sadi, Allahu e mëshiroftë, gjatë komentimit të këtyre ajeteve thotë: “Vendosmëria e Musait që ta merr rrugën e kërkimit të diturisë dhe të largohet prej Beni Israilëve kur ata ishin nevojtarë për këshillat dhe diturinë e tij, është argument se lejohet një njeri i cili dëshiron ta merr rrugën e kërkimit të diturisë të largohet prej popullit të tij, edhe pse ata kanë nevojë për të, me qëllim që ai më vonë të kthehet edhe më i ditur”.

    Pas një rrugëtimi të gjatë Musai, alejhi selam, së bashku me djaloshin arrijnë te një shkëmb afër bregdetit dhe Musai i lodhur dhe i rraskapitur shtrihet në hijen e atij shkëmbi që të pushon. Pas një kohe ndodh një mrekulli e Allahut, azze ue xhel, peshku i cili ishte i ngordhur dhe shërbente si ushqim gjatë udhëtimit, ngjallet dhe fillon të lëviz drejt detit dhe futet në det në një mënyrë shumë të çuditshme:

    “Dhe, kur arritën në vendin, ku bashkoheshin dy detet, ata e harruan peshkun e tyre dhe ai rrëshqiti në det, duke e hapur atë si tunel. (El-Kehf: 61)

    Këtë mrekulli e vëren vetëm djaloshi, pasi që Musai, alejhi selam, ishte duke fjetur dhe kur ngrihet Musai prej gjumi djaloshi harron t’i tregojë për atë çka kishte ndodhur. Përsëri e marrin rrugën e kërkimit me shpresë se do ta takojnë atë njeri, dhe kur kaluan më tej, Musai i tha shoqëruesit të vet:

    Na jep drekën tonë, sepse jemi lodhur nga ky udhëtimi ynë” (El-Kehf: 62)

    Djaloshi tha:

    “Shiko! Kur ndaluam tek ai shkëmbi, unë e harrova peshkun. Vetëm djalli më bëri ta harroj e nuk ta thashë se peshku mori rrugën nga deti në mënyrë të habitshme.” (El-Kehf: 63)

    Djaloshi kur ia tregoi rastin Musait, u gëzua shumë dhe i tha: “Kjo është ajo që po kërkojmë.” (El-Kehf: 64)

    Edhe pse kishin kaluar një udhëtim të lodhshëm dhe të gjatë, vendosën që të kthehen në atë vend ku kishte humbur peshku. Kur arritën në vendin ku bashkohen dy detet e takuan atë njeri të shumëkërkuar:

    “Andaj u kthyen nëpër gjurmët e veta, dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije.” (El-Kehf: 64-65)

    Vendtakimi i cili përmendet në Kur’an ku bashkohen dy detet nuk dihet saktë se ku është. Disa prej dijetarëve thonë se është vendi ku bashkohen Deti i Kuq me atë të Bardhin, dhe se më herët mes tyre ka pasur tokë, e cila më vonë është hapur dhe mes tyre është bërë kanal. Po të kishte pasur rëndësi të madhe Allahu, azze ue xhel, dhe Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, do ta kishin përmendur emrin e këtij vendi, mirëpo përmendja e tij nuk luan rol shumë të madh dhe mendoj se s’ka nevojë që të humbim kohë që ta gjejmë se ku ka ndodhur takimi. Na mjafton ajo çka e ka cekur Allahu se takimi i tyre ka ndodhur në vendin ku takohen dy detet.

    Emri i këtij njeriu nuk dihet saktë. Disa prej dijetarëve kanë bërë përpjekje që ta gjejnë emrin e tij të vërtetë, mirëpo më së miri është që ta quajmë me emrin Hidër, ashtu si e ka emëruar Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, në hadithin që e transmeton Buhariu prej Ebu Hurejres, radijallahu anhu: “Hidri është quajtur me këtë emër, sepse është ulur në tokë të bardhë e cila menjëherë ka filluar të gjelbërohet prej tij.”

    Musai, alejhi selam, kur e takoi Hidrin e përshëndeti i pari me selam dhe Hidri u çudit pasi që nuk e kishte dëgjuar këtë përshëndetje më herët dhe i dukej e huaj dhe e panjohur. Prandaj, dijetarët thonë se ky vend ishte në një rajon ku jetonin jobesimtarë.

    Musai, alejhi selam, kur ia tregon Hidrit qëllimin e vizitës së tij se:

    “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?” (El-Kehf: 66) Hidri çuditet me Musain dhe i thotë: “A nuk të mjafton që Teuratin e ke në dorën tënde dhe se të vjen shpallja? “ – Pastaj i tha: “O Musa, unë kam dituri që ti nuk duhet ta mësosh dhe ti ke dituri që unë nuk duhet që ta mësoj.”

    Musa, alejhi selam, këmbëngulte që t’i lejojë t’i bëj shoqëri gjatë udhëtimit dhe të mësoj prej asaj çka nuk e dinte, por Hidri i thotë: “Ti nuk mund të durosh dot me mua!” (El-Kehf: 67) Hidri e dinte se Musai, alejhi selam, nuk do të mund të bëj sabër dhe se do t’i ngushtohet gjoksi kur ta sheh se çka do të vepron: “E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë?” (El-Kehf: 68)

    Musai, alejhi selam, i drejtohet duke i thënë: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.” (El-Kehf: 69)

    Atëherë Hidri pranon, por me një kusht: “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë.” (El-Kehf: 70)

    Musai, alejhi selam, pajtohet me këtë kusht dhe nisen së bashku drejt bregdetit që të hipin në anije dhe të kalojnë në anën tjetër të bregdetit. Pronarët e anijes ishin disa djelmosha të cilët me sa duket e njihnin Hidrin, për shkak se nuk i kërkuan të holla për transport. Pas një çasti Hidri e theu një dërrasë prej dërrasave të anijes dhe e hapi një vrimë, ndërsa Musai e harroi premtimin e tij dhe tha:

    Mos vallë, e hape vrimën për t’i mbytur udhëtarët e saj? Me të vërtetë, ke bërë punë të shumë të keqe” (El-Kehf: 71)

    Hidri ia rikujtoi Musait premtimin:

    A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua? “ (El-Kehf: 72) ndërsa Musai u përgjigj: “Mos më qorto për atë që harrova dhe mos më ngarko me vështirësi në punët e mia!” (El-Kehf: 73)

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Musai harroi herën e parë”.

    Pasi që zbritën prej anijes i panë disa fëmijë që loznin afër bregdetit. Hidri iu afrua njërit prej tyre, e shtriri për toke dhe ia këputi kokën. Kur e pa Musai këtë vepër u çmend, s’duroi dot dhe u nis drejt Hidrit duke ia mohuar veprën: “Përse vrave një njeri të pafajshëm që nuk ka vrarë askënd?! Vërtet që ke bërë një punë të tmerrshme” (El-Kehf: 74) Kurse Hidri iu përgjigj: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?” (El-Kehf: 75)

    Kjo ishte një sprovë e vërtetë dhe e rëndë për Musain, alejhi selam, sepse ai ishte mësuar të thërriste në të mirë dhe të ndalonte nga e keqja, sheriati i tij i ndalonte ato vepra çka i vepronte Hidri, ndërsa ai detyrohej të heshtë.

    Musai kërkoi edhe një shans prej Hidrit dhe i tha: “Nëse pas kësaj do të të pyes sërish për çfarëdo gjëje, atëherë mos më mbaj më në shoqërinë tënde! Tashmë ke arsye (të mjaftueshme) nga ana ime (për t’u ndarë prej meje)!” (El-Kehf: 76)

    Të dy vazhduan të ecin, derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t’u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë. Pa dyshim se kjo është në kundërshtim me fisnikërinë dhe bujarinë dhe është shenjë e besimit të dobët dhe të mangët. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush i beson Allahut dhe ditës së Fundit le ta gostisë dhe fisnikërojë mysafirin” .

    Rrugës duke ecur ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar dhe Hidri e drejtoi që mos të rrëzohet dhe kjo me të vërtetë ishte një gjest i çuditshëm prej anës së tij, për shkak se ata e refuzuan si mysafir, kurse ai u drejtoi murin në fshat. Kur e pa Musai këtë gjest të Hidrit tha: “Sikur të kishe dashur ti, mund të kërkoje shpërblim për këtë” (El-Kehf: 77)

    Me këtë Musai theu premtimin e dhënë dhe Hidri i tha: “Kjo është ndarja ndërmjet meje dhe teje. Unë do t’i shpjegoj ty ato gjëra për të cilat nuk munde të durosh” (El-Kehf: 78)

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Kishim pasur dëshirë që Musai të duronte më tepër që Allahu, azze ue xhel, të na rrëfente më shumë prej ndodhisë së tyre”.

    Hidri filloi t’ia tregojë Musait urtësitë dhe fshehtësitë e atyre veprave që Musai nuk mundi të bëj durim. Së pari e njoftoi për anijen: “Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve, që punonin në det. Unë desha ta dëmtoj, sepse prapa tyre gjendej një mbret i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë” (El-Kehf: 79)

    Kjo ishte urtësia e dëmtimit të anijes. Djelmoshat që e kishin në pronë anijen ishin të varfër dhe me këtë anijen furnizoheshin, ndërsa mbreti i asaj kohe ishte një zullumqar i cili çdo anije të mirë e merrte për vete. Prandaj, prej mëshirës së Allahut ndaj tyre unë e dëmtova një pjesë të saj, që mos t’ua merr mbreti anijen tërësisht dhe të mbetën pa furnizim. Dijetarët thonë se kjo është një rregull e madhe në sheriat, ku me veprimin e një sherri të vogël, mbrohesh prej një sherri më të madh.

    Kurse: “Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se (dashuria për të) do t’i çonte ata në të keqe dhe mohim, dhe dëshiruam që Zoti i tyre, në vend të atij t’u jepte një më të mirë, më të pastër dhe më të mëshirshëm” (El-Kehf: 80)

    Urtësia e vrasjes së djaloshit ishte se ekzistonte frika që prindërit prej dashurisë që ndjenin ndaj tij, të ndikohen prej tij dhe t’i çonte ata në të keqe dhe mohim. Allahu prej mëshirës së Tij dëshironte t’ua zëvendësojë atë djalosh i cili nuk i respektonte ligjet e Allahut, nuk i respektonte prindërit dhe lidhjet familjare, me një fëmijë më të mirë në fe dhe moral.

    Ndërsa: “Sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt” (El-Kehf: 81-82)

    Ky është argument i qartë se njeriu kur është i mirë me Allahun, përfiton ai vet dhe përfitojnë pasardhësit e tij. Po ashtu është argument se jetimët janë nën mbrojtjen e Allahut dhe Ai i mbron prej skamjes dhe vështirësive të jetës. Prandaj, mos të frikohet njeri se në rast se vdes fëmijët e tij do të vuajnë prej skamjes dhe varfërisë, se për to do të kujdeset Allahu, azze ue xhel.

    Në fund Hidri i thotë Musait: “Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim. Ky është shpjegimi i asaj, për të cilën ti s’munde të duroje!” (El-Kehf: 82)

    Pra, të gjitha ato çka i veprova nuk kanë qenë prej mendjes sime, por urdhëresa nga ana e Allahut që ti, o Musa, të marrish mësim dhe të bëhesh më i durueshëm.

    Hidri a ishte njeri i mirë (velij) apo lajmëtar (nebij) prej anës së Allahut?

    Dijetarët rreth kësaj çështjeje janë ndarë në mendime:

    Mendimi i parë: Hidri është njeri i mirë, e jo lajmëtar. Ky është mendimi i dijetarit Abdurrahman es Sadit, Allahu e mëshiroftë, pastaj mendimi i Shejh Uthejminit dhe disa të tjerëve.

    Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Citatet aludojnë se Hidri nuk ishte as lajmëtar e as i dërguar, mirëpo ishte njeri i mirë, të cilit Allahu ia kishte dhënë disa mrekulli që t’i tregojë Musait se ai nuk ishte më i dituri në tokë. Argument për këtë është ajeti: “dhe gjetën një prej robërve Tanë” .

    Abdurrahman es Sadi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Hidri nuk ishte as lajmëtar e as i dërguar, mirëpo ishte njeri mirë të cilin Allahu e kishte frymëzuar dhe ia kishte dhuruar disa mrekulli dhe dituri të posaçme që t’i tregon Musait se ai nuk është njeriu më i mençur” .

    Mendimi i dytë: Hidri është lajmëtar, e jo vetëm njeri i mirë. Ky është mendimi i ibën Kethirit, Muhamed el Emin esh Shenkiti, dhe shumë dijetarëve të tjerë.

    Argumentet e tyre janë:

    1- Fjala e Allahut azze ue xhel: “dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije” (El-Kehf: 65)

    Muhamed el Emin esh Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, thotë se fjala mëshirë e cila ka ardhur në këtë ajet, përsëritet përdorimi i saj në Kur’an si profeci. Shembull e kemi në suren Zuhruf:Sikur t’i kishte zbritur ky Kur’an ndonjë njeriu të madh prej njërit nga këto dy qytete. Vallë, a mos janë ata që e ndajnë mëshirën (profecinë) e Zotit tënd?” (Ez-Zuhruf: 31-32)

    2- Fjala e Allahut azze ue xhel: Musai i tha atij: “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty? Ai u përgjigj: “Ti nuk mund të durosh dot me mua! E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë”? (Musai) tha: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.” (Hidri) i tha: “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë!” (El-Kehf: 66-70)

    Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë se po të kishte qenë Hidri velij nuk do t’i fliste Musai me këtë gjuhë dhe nuk do të kërkonte udhëtim me të që të merr mësim.

    3- Mbytja e djaloshit nga ana e Hidrit, alejhi selam, nuk ishte përveç se me urdhër të Allahut dhe me shpalljen e Tij. Velijit nuk i takon të vepron kësisoj vepra për shkak se nuk ka mbrojtje nga ana e Allahut, kurse lajmëtarit i vjen shpallja dhe ka mbrojtje.

    4- Komenti i ngjarjeve dhe se ajo nuk ishte me vet dëshirën e Hidrit, alejhi selam, por me urdhrin e Allahut: Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim” (El-Kehf: 82)

    A është ende gjallë Hidri, alejhi selam?

    Pretenduan disa prej dijetarëve sikur imam Kurtubiu, imam Neveviu, ibën Salahi dhe disa të tjerë se Hidri, alejhi selam, është ende gjallë për shkak se ka pirë ujë prej burimit të Jetës, dhe se takohet me Iljasin, alejhi selam, për çdo vit në Qabe.

    Pretendimet e këtij grupi dijetarësh i kundërshton shumica e dijetarëve dhe thonë se ky pretendim është i pabazë, këtë s’e pranon as feja, as logjika dhe as tradita. Të gjitha hadithet me çka argumentohen janë të dobëta, të shpikura ose janë prej Israilijatëve. Po të kishte qenë Hidri, alejhi selam, gjallë do të detyronte të takohet me Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, dhe ta pasojë atë, për shkak se askujt nuk i takon të del prej sheriatit të Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, i cili është dërguar për krejt njerëzimin e jo vetëm për një popull.

    Pra, mendimi i atyre dijetarëve me të vërtetë është i çuditshëm dhe po ashtu i rrezikshëm, se disa prej grupeve të devijuar do ta marrin si argument që t’i argumentojnë bindjet e tyre të kota.

    A ka dalë Hidri, alejhi selam, prej sheriatit të Musait, alejhi selam?

    Disa grupe të devijuara si sufitë dhe ata që i pasojnë besimet e tyre, pretendojnë se lejohet me dal prej sheriatit të Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, ashtu si ka dal Hidri prej sheriatit të Musait. Ata thonë se dispozitat vlejnë për pejgamberët dhe njerëzit e thjeshtë, ndërsa evlijat dhe njerëzit e posaçëm nuk kanë nevojë për ato dispozita. Ata thonë se duhet gjykuar me atë që iu frymëzohet atyre në zemra nga ana e Allahut, ashtu si u frymëzua Hidri dhe veproi në kundërshtim me ligjet e Musait.

    Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, thotë se: “Këto thënie janë injoranca dhe devijime të mëdha, bile janë prej llojit më të madh të nifakut, kufrit dhe mohimit. Dihet qartë se Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, është dërguar për mbarë njerëzimin, arabët dhe joarabët, për njerëzit dhe xhinët, për mbretërit dhe asketët, për dijetarët dhe njerëzit e thjeshtë dhe se porosia e tij është e vlefshme deri në Ditën e Gjykimit dhe askush nuk lejohet që të del jashtë ligjit të tij, salallahu alejhi ue selem.

    Ata të cilët argumentohen me tregimin e Hidrit, duhet ta dinë se Musai nuk ka qenë i dërguar te Hidri dhe as Hidri nuk ka qenë te Musai. Këtë e dëshmon hadithi i saktë ku Hidri i thotë Musait: “O Musa, unë kam dituri që ti nuk duhet ta mësosh dhe ti ke dituri që unë nuk duhet që ta mësoj”. Musai, alejhi selam, ka qenë i dërguar te një popull, ndërsa Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, është dërguar për nbarë njerëzimin dhe me dërgimin e tij është plotësuar feja dhe se nuk pas tij të dërguar tjetër, prandaj nuk i lejohet askujt të dal prej sheriatit të tij dhe kush e pretendon këtë është qafir me pajtimin e gjithë muslimanëve”.

    Ibën Kajimi, Allahu mëshiroftë, thotë se ai i cili e pretendon këtë besim del prej Islamit tërësisht. Ai nuk prej evliave të Allahut, por prej evliave të shejtanit.

    Hidri, alejhi selam, i tha Musait se të gjitha veprat i ka vepruar sipas urdhrave të Allahut. A munden të dalin dijetarët e sufive dhe të thonë Allahu na ka urdhëruar të veprojmë diçka çka është e ndaluar në ligjin e Tij?

    Si t’i kishte thënë Hidri Musait, alejhi selam, se unë kam dituri që ti nuk duhet ta mësosh dhe ti ke dituri që unë nuk duhet që ta mësoj, kjo konsiderohet dalje prej sheriatit të Musait, kjo nuk i lejohet që ta thotë në sheriatin e Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, për shkak se Allahu, azze ue xhel, thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj” (El-Maide: 3)

    Shihet qartë se sufitë kuptimin e tregimit të Hidrit me Musain, alejhima selam, e kanë kuptuar gabimisht dhe se realiteti është krejt diçka tjetër. Disa prej tyre i shfrytëzojnë këto argumente t’i mbulojnë mëkatet e tyre dhe epshet e tyre dhe t’i fitojnë kënaqësitë e kësaj bote. Mirëpo duhet ta dinë se në rast se nuk pendohen prej këtij besimi të kotë, dënimi i tij është Xhehenemi i përhershëm.

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, i përcjell fjalët e Ebu Abasit, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë se ai që e ka këtë besim është qafir dhe nuk kërkohet prej tij pendimi, por vritet për shkak se kjo është mohim i asaj që e di çdo njeri se është në kundërshtim me fenë e Allahut azze ue xhel.

    LITERATURË E KONSULTUAR:

    1. KUR’ANI i madhërishëm, Prof. Hasan I. Nahi
    2. Fethul Bari, sherh Sahih el Buhari, ibën Haxher el Askalani
    3. Bidaje ue Nihaje, ibën Kethiri
    4. Sahih el Kisas el Enbija, Omer Eshkar
    5. Ejser et Tefasir, Ebu Bekër el Xhezairij
    6. El Mehdij, Ismail el Mukadim
    7. Tefsir suretul (El-Kehf:, shejh Uthejmin
    8. El Xhamiu fi ehkam el Kur’an, imam el Kurtubij
    9. Edva el Bejan, shejh Muhamed Emin esh Shenkiti
    10. Tejsir el Kerim err Rrahman, shejh Abdurrahman es Sadi

    Përgatiti: Irfan Jahiu

  • VIRTYTET E IMAM MALIKU

    VIRTYTET E IMAM MALIKU

    E porosis veten dhe juve me devotshmëri ndaj Allahut, azze ue xhel: O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë”. (Ali Imran: 102)

    Të folurit për dijetarët e mëdhenj nuk është çështje e lehtë, sado që përpiqesh ta përfshish jetën e ndonjërit prej tyre lapsi yt është i pafuqishëm ta përshkruajë atë, dituria jote është e mangët, madje është e mundur që të fshihen prej teje gjërat më të rëndësishme dhe më ndikuese të jetës së tyre. Fragmentet nga jeta e të mëdhenjve prej dijetarëve të parë janë shëmbëlltyra më ideale dhe më stimuluese për të rinjtë dhe për të rejat tona që të përfitojnë prej tyre dhe t’i largohen marrjes së shëmbëlltyrës prej njerëzve që nuk kanë peshë as në jetë e as në histori.

    Të folurit për historinë e dijetarëve, e në këtë rast për historinë e imam Malikut, Allahu e mëshiroftë, nuk është prej fanatizmit dhe dashurisë së tejskajshme ndaj tij, sepse dituria merret dhe refuzohet prej çdo njërit prej tyre, kurse ajo dituri e cila merret dhe nuk refuzohet është vetëm se ajo e cila vjen prej të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam.

    Imami ynë, imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, u rrit në Medine, piu prej burimeve të saj, aty u bë i njohur, prej aty dituria e tij u shpërnda në krejt tokat, jepte mësime në xhaminë e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, derisa u emërtua si “Dijetari i Medines” apo si imami i “Darul Hixhreh”.

    Imami Malik ibën Enes, Allahu e mëshiroftë, u lind në qytetin e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, në një familje të varfër, mirëpo dashamirës ndaj diturisë dhe dijetarëve. Kjo ndikoi që imam Maliku ta dojë diturinë dhe të fillon si fëmijë ta kërkojë atë. Nëna e tij ishte një grua shumë e mençur e cila diti si ta udhëzojë në të mirë të birin e saj duke i thënë një ditë prej ditëve: “Biri im, shko tek Rebia, Allahu e mëshiroftë, dhe merre prej tij edukatën para se ta marrish diturinë e tij”.

    Kjo grua e kuptoi rolin e saj në jetë dhe porosinë e saj në edukatë dhe në përgatitjen e brezave të rinj dhe e kuptoi se edukata vjen paralele me diturinë. Dituria nuk ka vlerë pa edukatë dhe ajo kërkohet edhe në fillim të kërkimit të diturisë, por edhe pasi që ta arrish atë. Kjo grua arriti ta edukon dhe ta përgatit një burrë i cili më vonë i bëri mirë një Umetit.

    Nuk është roli i një nëne ushqimi i trupit të fëmijës dhe marrja e preventivave për mbrojtjen e fëmijës prej sëmundjeve, por porosia e saj është më madhështore, më e lartë, e ajo është përforcimi i besimit, ndërtimi i personalitetit, zhvillimi i mendjes, stimulimi i ambicieve të larta dhe kjo nuk mundet të arrihet derisa të vyshken të gjitha interesat e dynjasë para interesit më të madh, e ai është interesi i edukatës. Kjo ishte ajo e cila e ngjyrosi jetën e imam Malikut realisht edhe në vepra e jo vetëm në fjalë dhe prej kësaj medreseje edukuese nxënësit e imam Malikut e mësonin edukatën prej moralit dhe pamjes së tij, ndërsa Umeti përfitoi shumë prej historisë së tij.

    Imam Maliku i tha një djaloshi prej fisit Kurejsh: “O biri i vëllait tim, mësoje edukatën para se ta marrish diturinë”.

    Ibën Uehb, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ajo të cilën e mësuam prej edukatës së Malikut ishte më shumë se sa ajo të cilën e mësuam prej diturisë së tij”.

    Po ashtu nxënësit e tij përfituan dhe morën shumë edhe prej diturisë së tij. Jahja ibën Jahja Temimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Pasi që mora prej Malik ibën Enesit dituri një kohë të gjatë, e vazhdova qëndrimin tim edhe për një vit që të përfitoj prej moralit dhe virtyteve të tij dhe me të vërtetë, ato i përngjanin virtyteve të sahabëve dhe tabi’inëve”.

    Metodologjia bashkëkohore në arsim nxit në arsimim pa edukim. Librat të cilat mësohen nëpër institucione arsimore në vete përmbajnë citate të cilat janë të thata dhe nuk nxisin aspak në përmirësimin e moralit dhe të edukatës. Me këtë arsimi e humbi shkëlqimin dhe bukurinë, ndikimin dhe përhapjen e tij, u nda dhe u largua dituria prej edukatës dhe sado që të ketë njeriu potencial të madh shkencor dhe dituri të gjerë do të vëresh dobësi të madhe në ndikimin e diturisë së tij mbi moralin dhe edukatën e tij, mbi përmirësim e zemrës dhe veprave të tij. Nuk ka dobi prej diturisë së njeriut e cila nuk ndikon në përfitimin e moralit dhe përmirësimin e edukatës së tij.

    Ndarja mes diturisë dhe edukatës lindi shumë sëmundje morale, prej saj sulmet ndaj dijetarëve, shpifjet ndaj njerëzve të mirë, degjenerimet në moral, mosrespektimin e prindërve, mosrespektimin dhe sulmet e ndryshme ndaj mësuesve dhe edukatorëve edhe atë me fjalë dhe me vepra.

    Qyteti i Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, kishte ndikim të madh në ndërtimin e personalitetit të imam Maliku, në atë kohë ky qytet ushtonte prej dijetarëve dhe tabi’inëve të cilët i tubonte një universitet i madh, Xhamia e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam. Në çdo skaj të saj ulej nga një dijetar i cili ua mësonte njerëzve fenë e pastër të Allahut dhe njerëzit i dërgonin fëmijët e tyre të mësonin Kur’anin dhe Sunetin e me mësimin e tyre e përmirësonin edhe moralin.

    Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, u ul në Xhaminë e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, të jep fetva pasi që për të dëshmuan shtatëdhjetë dijetarë se e meriton këtë pozitë. Ekziston dallim mes atij i cili e lavdëron veten dhe flet fjalë miradije për vetveten dhe mes atij që dëshmojnë njerëzit e mirë dhe dijetarët për të. Imam Maliku thotë: “Nuk kishte mundësi që të ulet në xhami secili që donte të ligjëron rreth shkencës së hadithit apo të jep fetva, derisa të konsultoheshin mes vete dijetarët, nëse e shihnin se është meritor për këtë pozitë e lejonin e nëse jo nuk e lejonin dhe unë nuk u ula derisa dëshmuan për mua shtatëdhjetë dijetarë se unë e meritoj këtë vend”.

    Imam Maliku thoshte: “Unë jam njeri, gaboj dhe ia qëlloj, shikojeni mendimin tim nëse ai përputhet me Sunetin kapuni për të”. Me këtë imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, e vendosi një metodologji mesatare mes atyre që ishin fanatikë ndaj imamëve të tyre dhe i pasonin ata verbërisht dhe i refuzonin argumentet e sakta dhe mes atyre që i refuzonin thëniet e imamëve të mëdhenj duke thënë se: “Ata janë burra dhe ne jemi burra”. Sa dallim të madh ka mes burrave, të cilëve Allahu ua lartësoj emrat dhe i bëri të përmenden nëpër shekuj edhe pse ata janë të vdekur, dhe mes burrave që nuk kanë asnjë peshë e as nuk përmenden edhe pse ata janë të gjallë. Me përmendjen e të parëve ngjallen zemrat edhe pse ata janë të vdekur, kurse me uljen në një mexhlis me këta të fundit dhe që janë gjallë vdesin zemrat. Kur përmenden imamët, Ebu Hanifja, imam Maliku, Shafiu, Ahmed ibën Hanbeli, Allahu i mëshiroftë, ata nuk ishin thjeshtë njerëz të pajisur vetëm se me citate, por ishin shëmbëlltyrë në edukatë dhe dituri, ishin dijetarë në devotshmëri, dijetarë në adhurim, në asketizëm, e kështu me radhë.

    O ju besimtarë, nuk lejohet nënçmimi i veprave të tjerëve. Prej injorancës është mendimi i disa njerëzve se veprat e tyre janë më të mira se të tjerëve, apo mendimi i ndonjërit që Allahu i ka dhënë pak dituri se ai është më i mirë sesa tjetri apo mendimi i ndonjërit që e ka penguar një të keqe apo thirr në të mirë se ai është më i mirë se tjetri. Këto mundësi dhe aftësi janë furnizime prej anës së Allahut dhe nuk janë prej njerëzve. Kjo është kuptimi i imam Malikut që ia përshkruan të gjitha kategorive dhe grupeve të këtij Umeti, se shërbimin e kësaj feje e organizojnë të gjithë, pavarësisht se cilës lëmi dhe drejtim i takon, duke i dhënë secilit mundësi të punon sipas mundësive të veta dhe të ec sipas asaj rruge që ia ka caktuar Allahu.

    Imam Malikut i shkroi një asket i asaj kohe i cili e nxiste me këmbëngulje në izolim dhe vepër dhe imami iu përgjigj: “Allahu i caktoi veprat ashtu siç i caktoi furnizimet. Ndoshta një njeriut i jepet mundësia të falë namaz (vullnetar), por nuk i jepet mundësia të agjërojë (agjërim vullnetar), tjetrit i jepet mundësia të jep lëmoshë, mirëpo nuk i jepet mundësia të agjërojë, tjetrit i jepet mundësia të bëj xhihad, e tjetrit i jepet mundësia të merr dituri dhe përhapja e diturisë është një prej veprave më të mira. Unë jam i kënaqur me atë çka ma ka mundësuar Allahu dhe mendoj se unë nuk do të mund të jem aty ku jam pa qenë ty aty ku je dhe shpresoj që të gjithë ne të jemi në mirësi dhe begati”.

    Pra, ata që japin lëmoshë, asketët dhe adhuruesit janë në mirësi, ata që shpenzojnë në rrugë të Allahut janë në mirësi, këshilluesit, thirrësit, dijetarët dhe ata që thirrin në të mirë dhe ndalojnë nga e keqja janë në mirësi, ata që i shërbejnë fesë me lëmit dhe drejtimet e tyre dhe me specializimet e tyre të gjithë janë në mirësi nëse e pastrojnë nijetin e tyre që të jetë vetëm se për Allah. Në këtë Umet ka njerëz që posedojnë aftësi dhe kanë kapacitet dhe nëse atë e nënshtrojnë dhe e investojnë në shërbimin e shoqërive të tyre dhe Umetit të tyre, edhe ata edhe Umeti do të kishin një pamje krejtësisht tjetër.

    Kur u pyeste imam Maliku për ndonjë çështje i thoshte pyetësit: “Ik ti derisa ta hulumtoj çështjen”. Pasi që u largua pyetësi imam Maliku ishte i pavendosur dhe i lëkundur në përgjigjen e pyetjes dhe nuk ishte i sigurt se a t’i përgjigjet apo jo. Kur e pyetën disa prej shokëve të tij se ku qëndron problemi imam Maliku filloi të qajë dhe tha: “I frikohem një dite edhe atë çfarë dite, kur pyetësi do të kërkojë llogari prej meje për përgjigjen e dhënë”.

    Erdhi një njeri prej një vendi të largët ta pyes imam Malikun për një çështje e cila u interesonte banorëve të atij vendi dhe përgjigjja e imamit Malikut ishte: “Nuk e di, nuk jemi sprovuar me këtë mesele në vendin tonë dhe nuk kemi dëgjuar asnjë prej dijetarëve tanë të cilët kanë folur për këtë problem. Eja nesër”. Ditën e nesërme shkoi prapë me shpresë se do t’i japë përgjigje, por përgjigjja e imam Malikut ishte: “Më pyete, por nuk e di përgjigjen”. Atëherë njeriu i tha: “O imam, unë pas vete kam lënë njerëz të cilët më thoshin se nuk ka njeri në këtë rruzull tokësor më të mençur se imam Maliku!” Imam Maliku iu përgjigj dhe i tha: “Unë pyetjen tënde nuk e di”.

    Një ditë e pyeti një njeri për një mesele dhe imam Maliku kërkoi prej tij kohë që ta shikojë çështjen, e atëherë i tha pyetësi: “O imam, çështja është shumë e lehtë”. Imam Maliku ia ktheu dhe i tha: “Në dituri nuk ekziston çështje e lehtë, a nuk e ke dëgjuar fjalën e Allahut: “Sepse Ne do të të dërgojmë vërtet një fjalë me peshë të rëndë”. (El-Muzemil: 5)

    Disa thoshin se: “Pasha Allahun kur u pyeste imam Maliku për ndonjë çështje dukej sikurse qëndron mes Xhenetit dhe Xhehenemit”.

    Këta ishin dijetarë të cilët e mbushën dynjanë me diturinë dhe veprat e tyre. Është shumë për të çuditur me disa njerëz të cilët e marrin guximin për të dhënë fetva, ndërsa nuk kanë asnjë ditë shkollë për fenë e Allahut. Flasin për gjërat se kjo është hallall e kjo haram apo e nxisin një mesele nëpër forume apo mexhlise dhe nuk ngrihen prej atyre mexhliseve derisa të japin fetva kush si mundet dhe si ia kap mendja e vet. Njëri prej tyre thotë unë mendoj, e tjetri thotë mua ma merr mendja, e tjetri thotë unë besoj, e tjetri merr vendime të prera se kjo është haram e kjo hallall. I lartësuar qofsh, o Zoti im, a ka mbetur që hallalli, harami dhe fetvaja në emër të Allahut të jenë hapësirë e lirë ku në të do të flasin injorantët, se mua ma merr mendja e ty ta merr mendja? Nëse një arkitekt fillon t’u shkruajë receta dhe barna të sëmurëve çka do të thoni për të? Me çka do ta përshkruani atë? Si do të jetë përfundimi i tij? Si mendoni për ata të cilët flasin për fenë e Allahut pa dituri, i mbushin librat e gazetat duke thënë se kjo është hallall e kjo haram, ndërsa një ditë shkollë për fenë e Allahut nuk e kanë, e mos të flasin për fetvatë e posaçërisht për çështjet e reja të cilat i zbresin këtij Umeti dhe të cilat nëse do t’i kishin zbritur Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, do t’i mblidhte për rishikimin e saj të gjithë sahabët që morën pjesë në luftën e Bedrit. Sot njerëzit garojnë mes tyre të japin fetva që të bëhen të njohur dhe të tregohen para tjerëve se unë jam më i ditur se sa tjetri, e ndonjëherë edhe duke dhënë fetva që i kënaq njerëzit dhe e zemëron Allahun.

    O vëllezër në Islam, çështjet e fesë duhet t’ua adresojmë dijetarëve, për diturinë e të cilëve dëshmon Umeti dhe mos të flasim për çështjet të cilat nuk i njohim mirë, si rreth hallallit dhe haramit, për arsye se fjala jote do të thotë prerje e një dispozite të Allahut. Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush dëshiron që t’i përgjigjet ndonjë meseleje, para se t’i përgjigjet le ta rikujtojë Xhenetin dhe Xhehenemin dhe se si do të jetë përfundimi i tij në ahiret, e pastaj le të përgjigjet”.

    Ka mundësi që ndonjëri prej jush të mendon se këta dijetarë çdoherë kanë diskutuar vetëm se për thëniet shkencore dhe për thëniet e dijetarëve dhe divergjencave mes tyre dhe asnjëherë në mexhliset e tyre nuk kanë ditur të flasin për tema prej të cilave fërgëllojnë zemrat dhe në to përmendet Xheneti dhe Xhehenemi. Çdo njëri prej nesh duhet ta dijë se në ligjëratat e tyre ka pasur edhe këshilla të ndryshme dhe ceket se imam Maliku e kishte këshilluar një vëlla të tij në fe duke i thënë: “Përkujtoja vetes dhimbjet e vdekjes dhe mundimet e saj, sprovën në varr, qëndrimin para Allahut dhe llogarinë, e pastaj pasi që të llogaritësh vendqëndrimin tënd të përhershëm në Xhenet apo Xhehenem. Përgatitu për këto përjetime të rënda duke punuar në këtë dynja. Atë ditë do t’i shohësh ata me të cilët Allahu ishte i zemëruar se si do të jetë dënimi i tyre i dhembshëm, do t’i dëgjosh zërat e tyre duke klithur në Xhehenem, fytyrat e tyre do të jenë të zymta e të vrenjtura, as nuk do të shohin e as nuk do të flasin, do ta mallkojnë veten dhe do ta kërkojnë vdekjen, kurse musibeti më i madh për ta do të jetë kur Allahu do tua kthen atyre fytyrën e Tij dhe me këtë do të mbyllet çdo shpresë se Ai do t’i përgjigjet kërkesave të tyre dhe për këtë Allahu thotë: Ai do t’u thotë: “Rrini aty të përbuzur dhe mos Më flisni asgjë!” (El-Mu’minun: 108)

    Imam Maliku ishte i sëmurë njëzet e dy ditë dhe vdiq në moshën tetëdhjetë e shtatë vjeçare. Disa thonë se i kishte mbushur të nëntëdhjetat. Ibën Nafi, Allahu e mëshiroftë, thotë se imam Maliku vdiq në moshën tetëdhjetë e shtatë vjeçare dhe ishte myfti i Medines gjashtëdhjetë vite me radhë.

    Allahu e mëshiroftë imam Malikun i cili thoshte: “Kam takuar në Medine njerëz që nuk kishin të meta, por kur filluan të merren me të metat e tjerëve, atëherë vet u bënë me të meta. Po ashtu kam takuar në këtë qytet njerëz që kishin shumë të meta, por kur heshtën për të metat e të tjerëve, Allahu ia mbuloi të metat e tyre”.

    E lus Allahun të na bëj dobi mua dhe ju me udhëzimin e Kur’anit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

    Shejh Dr. Abdulbarij Thubejti  

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • VLERA E ISTIGFARIT DHE GJURMËT E TIJ

    VLERA E ISTIGFARIT DHE GJURMËT E TIJ

    Përsosmëria tek njeriu është e pamundur. Të gjithë njerëzit gabojnë dhe kanë mangësi, përveç pejgamberëve dhe lajmëtarëve të Allahut të cilët janë të vetmit që janë të mbrojtur në atë që thërrasin prej fesë së Allahut. Zoti i jonë është Mëshirues dhe më i Dituri për gjendjen e robërve të Vet, Ai e di fort mirë se robërit e Tij janë të dobët, të mangët e të pafuqishëm dhe për këtë arsye atyre ua hapi derën e shpresës në mëshirën dhe faljen e Tij dhe u bëri thirrje t’i bashkëngjiten mejdanit të Bujarisë dhe Fisnikërisë së Tij: Allahu, me mirësinë e Tij, ju thërret në Xhenet e falje (të gjynaheve)”. (El-Bekare: 221) Kurse me një hadith Kudsij që përcillet prej të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ka ardhur se Allahu, azze ue xhel, ka thënë: “O robërit e mi, ju bëni mëkate natë e ditë, andaj kërkoni falje nga Unë që t’ua fali”.

    Falja e mëkateve është begati dhe mëshirë e madhe për robin prej Allahut dhe kush mundet që t’i fal mëkatet e robit përveç Allahut: E kush i fal gjynahet përveç Allahut?” (Ali Imran: 135) Po ashtu prej begatisë së madhe të Tij është se Ai i thërret robërit e Tij që t’ua fal gjynahet e t’i mëshirojë dhe atë begati ta pasojë me një begati tjetër duke ua dhënë njerëzve një afat të caktuar që të ndalen ta llogarisin vetveten dhe të meditojnë për gjendjen e tyre: “Ai ju thërret juve për t’ju falur disa gjynahe tuajat dhe që t’ju lërë deri në afatin caktuar. (Ibrahim: 10)

    O robër të Allahut, mëkatet falen edhe po të janë ato sa shkuma e detit. Prandaj mos të dëshpërohet robi prej mëshirës së Allahut. Ai që ka bërë shumë mëkate e gjynahe le ta dijë se falja dhe mëshira e Allahut janë shumë më të mëdha. Mangësia është veçori e njeriut dhe për këtë i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Po qe se nuk bëni mëkate, Allahu do t’ju zëvendësojë me një popull që do të bëjnë mëkate dhe do të kërkojnë prej Allahut falje dhe Ai do t’ua falë”.

    I Lartësuar është Zoti ynë, i Cili është Falës i mëkateve dhe i Cili i mbulon të metat e robërve, e zgjat Dorën e Tij gjatë natës që t’ia fal mëkatarit të ditës dhe e zgjat Dorën e Tij gjatë ditës që t’ia fal mëkatarit të natës dhe i thërret robërit e Tij duke u thënë: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin”. (En-Nur: 31)

    Lum për ata që e di se Zoti i tyre është Bujar, Falës, Mëshirues, i Cili e pranon pendimin e të penduarve dhe i mbulon të metat e mëkatarëve. Prej robit kërkohet largimi prej mëkatit dhe sinqeriteti në pendimin e tij dhe Allahu do t’ia falë gabimin e tij: “Dije se nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut! Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret”. (Muhamed: 19) Ata që pendohen dhe kërkojnë falje e mëshirë janë më të lavdëruarit, më të mirët ndër robërit e Allahut, e dinë se janë nën mbikëqyrjen e Allahut dhe kjo i nxit që të jetojnë mes shpresës dhe frikës: “Allahu i vrojton robërit e Vet që thonë: “Zoti ynë! Me të vërtetë kemi besuar, andaj na i fal gjynahet tona dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!”; që janë të durueshëm, të sinqertë, të devotshëm në adhurimin e Allahut; që japin lëmoshë dhe që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit”. (Ali Imran: 16-17)

    Nëse në një popull shtohet istigfari dhe ai buron prej zemrave të sinqerta, Allahu prej atij populli belat dhe sprovat do t’i largon dhe prej ndëshkimeve do t’i mbron: “Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre dhe, Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij”. (El-Enfal: 33)

    Imam Tirmidhiu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij e përcjell një hadith prej Ebu Musa el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Allahu Umetit tim ia ka garantuar dy herë sigurinë dhe e lexoi ajetin: “Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre dhe, Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij”. (El-Enfal: 33) Dhe pastaj tha: “Kur unë do të vdes atyre do tu mbetet istigfari”.

    Me shpeshtimin e istigfarit zbret mëshira e Allahut: “Përse nuk kërkoni nga Allahu falje (të gjynaheve) që të mund të mëshiroheni?!” (En-Neml: 46)

    Istigfari është shkak për shtimin e bereqetit, rritjen e pasurisë, zvogëlimin e varfërisë, zbritjen e shiut, furnizimin me fëmijë, dhe është burim i krenarisë dhe begatisë. Nëse dëshironi lexojeni lajmin e Nuhit, alejhi selam, i cili i tha popullit të vet: “E u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!”. (Nuh: 10-12) Dhe po ashtu lexojeni lajmin e popullit të Adit me të dërguarin e tyre Hudin, alejhi selam, i cili u tha: “O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj”. (Hud: 52)

    Atyre që pendohen Allahu i begaton me zgjerim të furnizimit, me dhënien e sigurisë, me shërim prej sëmundjeve, me jetë të mirë dhe me largimin e pikëllimit. Me istigfar secili e arrin gradën e vet që e meriton dhe çdo i mirë e fiton shpërblimin e vet që e meriton. Nëse dëshironi lexojeni lajmin e të Dërguarit tonë Muhamedit, alejhi salatu ue selam, i cili tha: (që ju porosis) të kërkoni falje nga Zoti juaj e të ktheheni tek Ai me pendesë. Ai do t’ju japë të shijoni kënaqësi të bukura deri në afatin e caktuar dhe do t’i japë çdo të miri shpërblimin e merituar”. (Hud: 3)

    Istigfari me lejen e Allahut është shkak për mënjanimin e brengave dhe për rrugëdalje prej çdo situate dhe furnizim nga nuk shpreson njeriu. Në një hadith i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kush bën istigfar pa ndërprerë, Allahu do t’ia mënjanojë çdo brengë, do t’i japë rrugëdalje nga çdo situatë dhe do ta furnizojë nga nuk shpreson”.

    Istigfari dhe pendimi ia pastrojnë robit zemrën dhe ia përmirësojnë veprën, i japin qetësi shpirtit, i japin fuqi trupit, ia përmirësojnë shëndetin, i japin shpirtit mirësi dhe i zbresin bereqet e begati.

    Me këtë baraspeshë muslimani dhe i tërë Umeti bëhen Umet veprues produktiv, që bën bashkim mes marrjes së shkakut dhe mbështetjes në Allahun dhe është i kënaqur me caktimet e Tij.

    Parashtrohet pyetja se nëse ky është istigfari dhe kjo është thirrja e Allahut dhe kjo është merita e Tij e gjerë, atëherë si duhet të jetë llogaritja e vetvetes?

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë se dijetarët kanë thënë: “Istigfari i kërkuar është istigfari i vazhdueshëm, të cilit i përforcohet kuptimi në zemër dhe nuk është thjesht vetëm se shqiptim me gjuhë. Kush bën istigfar me gjuhë dhe zemra e tij këmbëngul në mëkate atëherë istigfari i tij ka nevojë për istigfar”.

    Disa prej dijetarëve thonë se: “Kush nuk e ka për qëllim që prej frytit të istigfarit të tij të përmirësohet pendimi i tij, ai është rrenacak. Ai që bën istigfar për mëkatin dhe vazhdon në të i përngjan atij që tallet me Allahun”.

    Istigfari i vërtetë është atëherë kur synohet me sinqeritet lënia e mëkatit dhe me zemër mbështetesh në Allahun. E gjithë mirësia është e ndërlidhur me përmirësimin e zemrave dhe pranimin e besimit dhe atëherë vjen edhe falja: “Nëse Allahu gjen mirësi në zemrat tuaja, do t’ju japë diçka edhe më të mirë nga ajo që ju është marrë dhe do t’ju falë. Se Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”. (El-Enfal: 70)

    Për ta qartësuar më mirë pasqyrën e asaj çka e përmendëm më lart do t’i marrim disa shembuj prej atyre që e shpeshtonin istigfarin pasi që i kryenin disa prej adhurimeve madhështore.

    Muhamedi, alejhi salatu ue selam, thoshte: “Pasha Allahun, unë kërkoj falje dhe pendohem tek Allahu me shumë se shtatëdhjetë herë gjatë ditës”.

    Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, në një mexhlis e numëronim se thoshte njëqind herë: “O Zot, më fal mua dhe pranoje pendimin tim, se Ti je Pendimpranuesi Gjithëfalësi”.

    Pejgamberi i Allahut pasi që e përfundoi misionin e tij dhe e përcolli mesazhin e Allahut në vend, Allahu e urdhëroi që t’i drejtohet Atij me pendim dhe me istigfar: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës) dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe, atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve”. (En-Nasr 1-3)

    Ata që e falin namazin, menjëherë pasi që e kryejnë faljen e namazit të tyre nxitojnë në istigfar. Haxhilerët pas qëndrimit në Arafat dhe Muzdelife janë të urdhëruar me istigfar: “Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë”. (El-Bekare: 199)

    Po ashtu pas marrjes së abdesit robi i drejtohet Allahut me teuhid dhe pendim dhe thotë: Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij. O Zot më bën prej të penduarve dhe më bën prej të pastruarve (prej mëkateve)”.

    Kurse ata që kërkojnë falje në agim, e që janë më të zellshmit, ata së pari u falën natën e pastaj nxituan për në istigfar: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu)”. (Edh-Dharijat: 17-18)

    Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, tha: “U falën deri në agim e pastaj u ulën dhe kërkonin falje”.

    I biri i Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, falej natën e pastaj i drejtohej Nafiut, Allahu qoftë i kënaqur me të, shërbëtorit të tij dhe i thoshte: “O Nafi, a arriti agimi? Nëse i thoshte po, atëherë nxitonte për në lutje dhe istigfar deri në mëngjes”.

    O muslimanë, një prej shkaqeve më të mëdha dhe më të rëndësishme të pranimit të istigfarit është njësimi i Allahut dhe sinqeriteti në adhurimin e Tij dhe largimi prej të gjitha llojeve të politeizmit dhe idhujtarisë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim), ka bërë gjynah të tmerrshëm”. (En-Nisa: 48)

    Kurse me një hadith Kudsij ka ardhur: “O biri i Ademit, nëse vjen te Unë me mëkate të mëdha sa toka, pastaj më drejtohesh duke mos më bërë shok (në adhurim) Unë do të dhuroj falje po aq të madhe!”.

    Falja pra, është e ndërlidhur me dashurinë ndaj Allahut dhe ndaj Muhamedit, alejhi salatu ue selam: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”. (Ali Imran: 31)

    Kjo është mëshira e Allahut dhe butësia e Tij ndaj krijesave të Tij, por ke kujdes prej kuptimit të gabueshëm të disave se istigfari na mundëson që të shkojmë pas gjynaheve dhe se Allahu do të na falë. Është e vërtetë se Allahu fal, por Ai edhe dënon rreptë. Nëse robi jepet pas gjynaheve dhe këmbëngul në to, ato gradualisht do ta shkatërrojnë. Mëkat pas mëkati, gjynah pas gjynahu derisa ta shkatërrojnë tërësisht dhe mos t’ia mundësojnë që të kthehet në pendim. Sa të rinj janë shkatërruar si shkak i këtij besimi të rrejshëm? Sa të rinj i mashtroi shpresa e rrejshme se do të jetojnë gjatë dhe se ka kohë për pendim? Plot!

    O rob i Allahut, prandaj nxito në pendim dhe istigfar kur të bësh mëkat dhe tento që të këmbëngulsh në to, se ato janë shkak i shpëtimit tënd dhe lumturisë tënde në dynja dhe ahiret.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti”. (Ez-Zumer: 53)

    Shejh Dr. Salih El Humejd

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU