Category: Mirësjellja – Edukata fetare

  • REALITETI I LUMTURISË DHE BURIMI I SAJ

    REALITETI I LUMTURISË DHE BURIMI I SAJ

    Ai i cili sprovohet me varfëri dhe fukarallëk lumturinë e sheh në pasuri dhe tek pasanikët, ai i cili sprovohet me sëmundje dhe ligështi lumturinë e sheh në shëndetin e trupave dhe në shërimin e organeve, ai i cili sprovohet me padrejtësi dhe që nuk mundet t’i merr të drejtat e veta, lumturinë e sheh në pozitë e fuqi ose tek mbretërit e sundimtarët dhe ai i cili zemra e tij është e dehur dhe e dhënë pas epsheve e gjynaheve dhe pas fëlliqësirave e mëkateve lumturinë e sheh në pasimin e epshit dhe veprimin e fëlliqësirave dhe përhapjen e tyre.

    Njerëzit gjithmonë hulumtojnë pas qetësisë shpirtërore, kërkojnë lumturi e kënaqësi dhe atë e përgjojnë në forcë e fuqi, në pasuri e liri dhe pozitë e sundim. Lumturia nuk gjendet në pasuri e fëmijë e as në fuqi e mbretëri dhe Allahu kur i përshkroi disa prej popujve tha: “Mos u josh (o Muhamed) nga pasuria dhe fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu kërkon t’i ndëshkojë ata në këtë jetë”. (Et-Teube: 55)

    Të hulumtuarit pas pasurisë dhe pozitës shpirtrat i ndëshkon, zemrat i lodh, jetën e vështirëson dhe dhembje e mundime asaj i shkakton. Shpirti nuk kënaqet asnjëherë me pak e as nuk ngopet me shumë dhe për këtë i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Sikur biri i Ademit të ketë një luginë, do të kishte shpresuar ta ketë edhe një, dhe sikur të kishte dy lugina, kishte shpresuar ta ketë edhe të tretin, dhe nuk e ngop njeriun vetëm se dheu dhe Allahu ia fal atij që pendohet”. Dhe po ashtu ka thënë: “Kushdo që e bënë këtë botë synim të tij Allahu do t’ia përçajë punët e tij dhe do t’ia vendosë para syve të tij varfërinë dhe asgjë nuk do t’i vijë atij prej dynjasë përveç asaj çka e ka shkruar për të”.

    Lumturia është gjë e cila nuk shihet me sy e as që krahasohet me numër dhe nuk blihet as me dërhem e as me dinar. Ajo është gjë që gjendet brenda në zemër, zemrën e gëzon dhe e qetëson, shpirtin e pastron, gjoksin e zgjeron, fytyrën e ndriçon dhe mendjen e rehaton. Ajo është ndjenjë e bukur që të gëzon dhe perceptim i ëmbël që të rehaton dhe shpirtin ta qetëson. Paramendoje një njeri të cilit Allahu i ka dhuruar pasuri e pozitë, por e ka sprovuar me sëmundje të rëndë. Atij ia sjellin ushqimin më të mirë, por nuk ka mundësi ta hajë, edhe nëse e ha nuk shijon asnjë shije në të. Ngrihet prej krevatit dhe shikon prej dritares së dhomës së tij dhe e vëren një prej punëtorëve të tij i cili është shtrirë nën hijen e një peme dhe në njërën dorë e mban copën e bukës e në tjetrën kripën dhe kënaqet duke e ngrënë atë ushqim të thatë. Sa shumë shpreson ky i mjeri ta kishte pas shëndetin e punëtorit të tij dhe ta kishte përjetuar lumturinë e tij.

    Burimi i lumturisë është zemra, pamja e jashtme e saj është kënaqësia dhe argumenti i prezencës së saj është kuptimi i begative dhe njohja e tyre. Nuk ka më keq se kur një njeri lumturinë e tij e kërkon në epshet e dynjasë dhe kënaqësitë e saj dhe ai vet e di bindshëm se ato nuk janë të përhershme. Hulumtimi pas epsheve të dynjasë dhe kënaqësive të saj atij jetën ia shkatërrojnë, furnizimin ia pakësojnë, problemet ia shtojnë, e nxisin në harame dhe dëfrime, në urrejtje dhe armiqësi mes njerëzve dhe në fund ose nuk mundet ta arrijë atë që e do ose ajo e tradhton dhe jeta me përfundim të keq i përfundon.

    Nuk mundesh të gjesh njeri i cili është i kënaqur me përcaktimet e jetës përveç atij i cili i beson Allahut dhe Atij i mbështetet. Jeta pa fe është e komplikuar dhe kjo dukuri shpie deri në çrregullime shoqërore dhe sëmundje shpirtërore, ku të sprovuarit jepen pas ilaçeve për qetësim madje pas drogës dhe alkoolit, Allahu na ruajt: “Ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell”. (El-En’am: 125); “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar”. (Ta Ha: 124)

    Dynjaja tek besimtari nuk ka vlerë të madhe, ai e kupton se ajo nuk është tjetër përveç se një botë ku sprovohet në të dhe se ajo është vend mbjelljeje dhe se në të do të jetë një kohë të shkurtër dhe se pas saj e shpreson takimin me Allahun. Besimi është anija e tij kurse adhurimi mjeti i tij. Besimtarin gjithmonë e mbulon lumturia sepse ai është i bindur se jeta është e gjykuar me caktimet e Allahut, ai nuk pikëllohet për atë që kaloi dhe nuk gëzohet për atë që arriti, nuk dëshpërohet prej sprovave dhe belave dhe ato i kupton si mëshirë prej anës së Allahut e jo si dënim.

    Lumturia nuk fitohet me ikje nga përgjegjësitë dhe me braktisjen e tyre, por ajo arrihet në ballafaqimin e jetës dhe qëllimeve të saj. Marrja e shkaqeve dhe përkujdesja e tyre janë faktorë kyç për arritjen e lumturisë dhe mbjelljen e kënaqësisë. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Prej lumturisë janë: gruaja e mirë, vendbanimi i mirë dhe mjeti i mirë i udhëtimit”. Dhe po ashtu thotë: “Kush zgjohet prej jush në mëngjes dhe është i qetë në vatrën e tij, i shëndoshë në trupin e tij dhe e ka bukën për atë ditë, ai është sikur t’i jetë dhënë e tërë bota”.

    Pasuria e realizon lumturinë nëse ti nëpërmjet saj e kërkon kënaqësinë e jetës hallall dhe nëse pasurinë nuk e merr si qëllim të jetës por e merr si mjet për ta arritur qëllimin kryesor dhe final e ajo është kënaqësia e Allahut dhe Xheneti i Tij. I lumturi nuk ha më shumë se sa hanë të tjerët dhe nuk posedon më shumë se sa posedojnë të tjerët por ai kënaqet më shumë se sa kënaqen të tjerët. Të lumturit janë besimtarë dhe punëtorë të zellshëm, Allahut i mbështeten, urtësive të Tij i binden dhe përcaktimeve të Tij i nënshtrohen. Kjo është lumturia e vërtetë dhe ajo e drejtë.

    Prej burimeve të dëshpërimit dhe shkaqeve të pa lumturisë është papunësia, e cila është shkak i mbushjes së kafeneve e klubeve të dëfrimit dhe të rritjes së numrit të vrasjeve dhe vjedhjeve dhe krimeve në shoqëri. Prandaj është mirë që njerëzit të inkurajohen që të punojnë dhe t’u hapen mundësi pune që t’i paraqesin ambiciet e tyre dhe të përparojnë në jetën e tyre dhe kjo pa dyshim se ndikon në lumturinë e tyre dhe puna bëhet një faktor i madh dhe i rëndësishëm i saj. Po ashtu prej burimit të dëshpërimit dhe të moslumturisë është injoranca dhe padituria. Injorantët është shumë rëndë të udhëhiqen dhe të udhëzohen dhe të qetësohen: “Paqja qoftë me ju! Ne nuk duam shoqëri me të paditurit”. (El-Kasas: 55) Njerëzit e ditur shumë lehtë munden ta kuptojnë të vërtetën dhe të dobishmen dhe atë çka kërkohet prej tyre dhe t’i përgjigjen asaj, prandaj injoranca bëhet një prej faktorëve kyç të dëshpërimit dhe pikëllimit.

    Po ashtu një prej faktorëve të lumturisë është edhe edukata e mirë dhe morali i lartë. Vendi më i mirë ku përfitohet edukata e mirë dhe morali i lartë është shtëpia dhe shkolla, vende të cilat duhen që ta edukojnë njeriun të pajiset me durim, sinqeritet, besim, vepër, përpjekje, butësi, nder, turp dhe zgjerim të gjoksit: “Vallë, a nuk ta hapëm ty (Muhamed) kraharorin (për të pranuar besimin) dhe ta hoqëm barrën, e cila ta rëndonte tepër kurrizin”. (El-Inshirah: 1-3) Kjo edukatë duhet që njeriun ta edukojë ta adhurojë Allahun dhe ta falënderojë Atë dhe ta përmend Atë: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut”. (Er-Ra’d: 28), dhe “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kur’ani), Ne do t’ia caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm”. (Ez-Zuhruf: 36) Kjo edukatë duhet që ata t’i largojë prej urrejtjes dhe smirës dhe t’ua mbushë zemrat me dashuri ndaj njerëzve dhe ta edukojë që ta lut Allahun për mëshirë dhe mirësi për vete dhe për të gjithë njerëzit: “Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar e po ashtu edhe femrat do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar. Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë”. (En-Nisa: 32)

    O ti musliman, ti do të bëhesh i lumtur atëherë kur do ta njohësh vetveten dhe lumturinë ta kërkosh prej vetvetes e jo prej atyre që i ke përreth. Bëhu i lumtur me besimin tënd dhe moralin tënd dhe dashurinë ndaj njerëzve, bëhu i lumtur nëse je me Zotin tënd dhe i falënderon begatitë dhe bën durim në sprova dhe bela se atëherë do të përfitosh në të dyja rastet dhe do të kesh shpërblime në të dyja botët.

    Po ta kishin ditur të palumturit prej pasanikëve e sundimtarëve dhe jobesimtarët e munafikët se çfarë lumturie shijojnë besimtarët do t’i kishin luftuar ata me shpatë. Madje ateistët kur i panë besimtarët se janë të lumtur, të qetë e të bindur, prej injorancës dhe neglizhencës së tyre menduan se besimtarët janë të mpirë prej fesë. Të shkretët nuk e dinë se besimtarët janë të bindur se edhe nëse të gjithë banorët e tokës dhe qiejve mblidhen për t’i ndihmuar ndonjërit me diçka, nuk munden t’i ndihmojnë vetëm se atë që Allahu e ka caktuar për atë, dhe nëse mblidhen për t’i bërë dëm diçka, ata nuk mund t’i bëjnë dëm, vetëm atë që Allahu e ka caktuar për atë.

    Besimtarët besojnë se qielli nuk lëshon as dinar e as dërhem dhe se në fenë e tyre besimi ka ardhur paralel me veprën. Furnizimi vjen vetëm se prej Allahut dhe kënaqu me atë çka të ka caktuar Allahu pa futur dëshpërim në zemrën tënde e as urrejtje e cila e shkatërron zemrën tënde e as smirë e cila të dëmton ty dhe i ha të mirat e tua. Kjo botë është vend ku duhet të mbjellim prandaj vepro që të korrurat e tua t’i shohësh në ahiret. Sëmundja është sprovë dhe në të ka urtësi të madhe dhe dije se shërimi është i ndërlidhur me ilaçin dhe se ai vjen vetëm se prej Allahut dhe me lejen e Tij. Nëse ec sipas kësaj rruge atëherë do ta gjesh lumturinë dhe do të zbrit mbi ty qetësi e rehati.

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Në zemër ka shpupurisje të cilën nuk mundet ta grumbullon vetëm se afrimi kah Allahu. Në zemër ka egërsirë që nuk mundet ta largojë vetëm se shoqërimi me Allahun. Në zemër ka pikëllim të cilin nuk mundet ta largon vetëm se gëzimi me njohjen e Allahut dhe sinqeriteti në sjelljet me Allahun. Në zemër ka shqetësim që nuk mundet ta qetëson vetëm se ikja kah Allahu. Në zemër ka skamje e varfëri që nuk mundet ta plotësojë vetëm se dashuria ndaj Allahut, përmendja e vazhdueshme e Tij, mbështetja në Atë dhe adhurimi i sinqertë i Tij. Në zemër ka hidhërim dhe brenga që nuk mundet t’i fik vetëm se kënaqësia me urdhëresat dhe ndalesat e Allahut dhe durimi në caktimet e Tij deri atë ditë kur ta takojmë Allahun”.

    Dr. Salih El Humejd

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • SHTATË GRUPET E SHPËTUARA

    SHTATË GRUPET E SHPËTUARA

    Do të vijë një ditë kur Allahu të gjitha krijesat e Tij do t’i bashkon në një vend, të parët dhe të fundit, edhe atë: për t’i dënuar ata që bëjnë keq, sipas veprave të veta e, për t’i shpërblyer ata që bëjnë mirë, me shpërblimin më të mirë”. (En-Nexhm: 31)

    Ajo ditë do të jetë shumë e gjatë, e rëndë, e tmerrshme, njerëzit do të ringjallen të zhveshur, këmbëzbathur, të pa bërë synet, pesëdhjetë mijë vite do të presim në rresht për të dhënë llogari dhe askujt nuk do t’i intereson për tjetrin, secili do të thotë vetja ime, vetja ime. Atë ditë flokët e fëmijës do të thinjen, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet, njerëzit do të shihen si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut do të jetë i rreptë. Allahu na paralajmëroi prej kësaj dite dhe na urdhëroi që të përgatitemi për të duke thënë: O ju njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe! Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër”. (El-Haxh: 1-2)

    Atë ditë dielli do të jetë mbi kokat e njerëzve në një distancë prej një milje dhe njerëzit do t’i mbulojë djersa sipas asaj çka kanë punuar. Disa do t’i mbulojë deri në nyjat e këmbës, disa deri në gjunjë, disa deri në bel, e disa do t’i mbulojë deri në fyt, sipas asaj çka ka punuar robi i Allahut në dynja. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Në Ditën e Ringjalljes, Dielli do të jetë aq afër me njerëzit sa që distanca ndërmjet tyre do të jetë një milje. Njerëzit do të mbulohen nga djersët sipas veprave të tyre, disa deri në nyjat e këmbëve, disa deri në gjunjë, disa deri në mes dhe disa në fyt (duke thënë këtë, i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, vendosi dorën në gojën e tij). Atë ditë disa njerëz do të veçohen prej të tjerëve, edhe atë duke qëndruar nën hijen e Arshit të Allahut kur të gjithë të tjerët do të jenë nën vapën e diellit. Atë ditë nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Arshit të Allahut, azze ue xhel.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Janë shtatë grupe që Allahu do t’i fusë në Hijen e Arshit të Tij në Ditën e Gjykimit, ditë në të cilën nuk do të ketë hije tjetër veç Hijes së Tij: udhëheqësi i drejtë, i riu që është rritur duke adhuruar Allahun e Plotfuqishëm, njeriu që zemrën e tij e ka lidhur me xhamitë, dy njerëz të cilët janë dashur për hir të Allahut, që janë takuar për këtë dhe janë ndarë për këtë, ai burrë që është thirrur nga një grua e bukur dhe me pozitë (për të kryer marrëdhënie me të ), por thotë: “I frikësohem Allahut”, personi që jep për bamirësi dhe e fsheh, saqë dora e tij e majtë nuk e di se çfarë jep e djathta dhe personi që e kujton Allahun në vetmi dhe sytë e tij lotojnë”.

    Në vazhdim le t’i meditojmë veprat e këtyre njerëzve të cilat në vështrim të parë nuk duken si vepra të mëdha, mirëpo janë shkak i këtij shpërblimi të madh prej anës së Allahut, azze ue xhel.

    1. Udhëheqësi i drejtë

    Udhëheqës i drejtë është ai që gjykon mes njerëzve me drejtësi dhe nuk e pason epshin e tij siç thotë edhe Allahu, azze ue xhel: O Davud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave, se ato të largojnë nga rruga e Allahut! Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut, ka dënim të ashpër, ngaqë e kanë harruar Ditën e Llogarisë”. (Sad: 26)

    Këtu nuk bën pjesë vetëm se imami apo udhëheqësi i shtetit, por të gjithë ata që e kanë marrë si përgjegjësi të gjykojnë mes njerëzve dhe t’i udhëheqin ata, si gjykatësi, kryetari, imami, etj. Marrja e përgjegjësisë nuk është e lehtë, ajo është amanet që duhet të përcillet deri në vendin e saj të duhur. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt. Vërtet, Allahu ju këshillon mrekullueshëm dhe vërtet, Allahu dëgjon çdo gjë dhe vështron të gjitha punët”. (En-Nisa: 58)

    Ky është shpërblimi i atij që është i drejtë në gjykim dhe ia jep të drejtat parisë së tij, ndërsa shiko se si është shpërblimi i atij që nuk është i drejtë në gjykim dhe nuk ia jep të drejtat parisë së tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin)”. (Ibrahim: 42)

    Nëse i sheh padrejtësitë e udhëheqësve, partive, kryetarëve, mos dysho në atë se atyre a do t’ju vjen dënimi apo jo, për shkak se Allahu me të vërtet sheh dhe është i njoftuar për çdo gjë dhe secilit do t’i vjen dënimi apo shpërblimi sipas asaj çka ka vepruar.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kujt i ka dhënë Allahu përgjegjësi ndërsa ai nuk është i sinqertë në përgjegjësin që ka, vdes duke qenë mashtrues për përgjegjësin që ka, vetëm se ia ka bërë Allahu haram Xhenetin”.

    Po ashtu, Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Njerëzit të cilët do të dënohen më së shumti në Ditën e Kiametit janë udhëheqësit e padrejtë”.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka bërë dua duke thënë: “O Allah kush merr ndonjë përgjegjësi në çështjen e umetit tim dhe tregohet i mëshirshëm me ta, mëshiroje atë, dhe kush merr ndonjë përgjegjësi në çështjen e umetit tim dhe tregohet i vrazhdë ndaj tyre, edhe Ti tregohu i vrazhdë ndaj tij”.

    1. I riu që është rritur duke adhuruar Allahun e Plotfuqishëm

    Ky është një djalosh i cili e do Allahun, e adhuron Atë, i mbështetet vetëm se Atij, vepron vepra të mira dhe i donë ato, largohet prej të shëmtuarës dhe e urren atë. Kur shokët e tij e kalojnë kohën në dëfrim dhe lojë ai i drejtohet xhamisë dhe faljes së namazit. Kur ata shkojnë pas epsheve dhe pasioneve, ky djalosh edhe pse në këtë moshë epshet e tij janë të forta, i lufton ato dhe i nënshtrohet urdhrave të Allahut. Për këtë e meritoi që të jetë prej shtatë grupeve të shpëtuara.

    Ky djalosh si shëmbëlltyrë i merr djelmoshat e shpellës për të cilët Allahu thotë: “Ata ishin djelmosha që besonin në Zotin e tyre dhe Ne i forcuam në rrugën e drejtë”. (El-Kehf: 13)

    E di se është përgjegjës për rininë e tij dhe se për të do të jep llogari Ditën e Kiametit dhe nuk e harron porosinë e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, i cili na porositi dhe tha: “Shfrytëzoni pesë gjëra para pesë të tjerave: rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para se të jesh i zënë dhe jetën para vdekjes”.

    1. Njeriu që zemrën e tij e ka lidhur me xhamitë

    Ky njeri prej momentit kur del prej xhamisë nuk mund të qetësohet në asnjë vend tjetër deri sa të kthehet në xhami, zemra e tij nuk do diçka tjetër përveç se xhamisë dhe gjithmonë i jep përparësi shtëpisë së Allahut para shtëpisë së tij. Këta njerëz në të vërtet janë ndërtuesit e realët të shtëpive e Allahut dhe për ta Allahu thotë:Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zeqatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë”. (Et-Teube: 18)

    Është një inkurajim i madh në Sunet për burrat që të falen në xhami dhe shpërblimi i shoqëruar me të është madhështor. Kjo jo vetëm që e bën personin të pranueshëm nën hijen e Arshit të Allahut, por sa herë që hedh ai një hap për në xhami, vetëm se ngrihet një gradë dhe i bie një gjynah. Pastaj ai lutet, dhe melaqet nuk ndalojnë së luturi për të duke thënë: “O Allah, bekoje atë! O Allah, mëshiroje atë!”.

    I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Xhamia është shtëpia e çdo të devotshmi. Allahu i ka garantuar atij që xhaminë e ka shtëpi të veten me shpirt, mëshirë dhe kalim të Siratit drejt kënaqësisë së Allahut dhe Xhenetit”.

    I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kur ta shihni një njeri që e ka shprehi të shkon në xhami dëshmoni për të se është besimtar”.

    Po ashtu, i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Tre veta Allahu i ka siguruar se do t’i furnizojë dhe do të kujdeset për ta derisa janë gjallë, e kur të vdesin do t’i vendosë në Xhenet: Atë që jep selam kur hyn në shtëpinë e vet, atë që shkon në xhami dhe atë që është në rrugën e Allahut”.

    1. Dy njerëz të cilët janë dashur për hir të Allahut, që janë takuar për këtë dhe janë ndarë për këtë.

    Lidhja më e fuqishme e besimit është dashuria për hir të Allahut dhe urrejtja për hir të Allahut.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Nëse ndokush prej jush braktis besimin e vet, dijeni se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan; të përulur me besimtarët dhe të ashpër me femohuesit; që luftojmë në rrugën e Allahut dhe nuk i tremben qortimit të asnjë qortuesi. Kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë. Allahu është Bujar i madh dhe i Gjithëditur”. (El-Maide: 54)

    Dashuria për hir të Allahut dhe urrejtja për hir të Allahut është një prej cilësive dhe veçorive ku të robi e shijon kënaqësinë dhe ëmbëlsinë e imanit. Këta dy njerëz nuk i bashkoi farefisnia, e as shoqëria, e as interesat e dynjasë, por i bashkoi vetëm se dashuria për hir të Allahut edhe atë derisa i ndau vdekja dhe ata vdiqën në këtë gjendje duke e dashur njëri-tjetrin.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Ai që do dikë për hir të Allahut, urren për hir të Allahut, jep për hir të Allahut dhe ai që nuk jep (në harame) për hir të Allahut, i tilli e ka plotësuar imanin”. 

    Ebu Malik El Esharij, Allahu e mëshiroftë, transmeton se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, një ditë doli para njerëzve dhe tha: “O ju njerëz, dëgjoni, mendoni dhe dijeni se ka disa nga robërit e Allahut që nuk janë pejgamber e as shehid, mirëpo ua kanë lakmi atyre pejgamberët, shehidët, në ulëset e tyre dhe afërsisë së tyre me Allahun”. Në atë moment një beduin i mahnitur prej fjalëve të Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, tha: “O i Dërguari i Allahut ka nga robërit e Allahut që nuk janë pejgamber e as shehid, mirëpo ua kanë lakmi atyre Pejgamberët, shehidët, tregona neve kush janë ata?! Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, qeshi me fjalët e këtij beduini dhe tha: “Ata janë njerëz sikurse ne, ata nuk i lidh farefisi i afërm, duhen për hir të Allahut, Allahu atyre do t’u dhurojë minberë prej drite që ata të ulen aty, do të bëjnë dritë fytyrat dhe rrobat e tyre, do të tmerrohen njerëzit në Ditën e Kiametit kurse ata nuk do të tmerrohen dha ata janë të dashurit e Allahut nuk ka frikë për ta e as nuk do të dëshpërohen”.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni dhe nuk keni besuar derisa ta doni njëri-tjetrin. A dëshironi t’ju tregoj për një gjë, të cilën, nëse e bëni, do t’ua shtojë dashurinë? Përhapeni selamin mes jush”.

    Vëllezër besimtarë!

    Grup tjetër i shpëtuar në Ditën e Kiametit do të jetë edhe:

    1. Ai burrë që është thirrur nga një grua e bukur dhe me pozitë (për të kryer marrëdhënie me të ), por thotë: “I frikësohem Allahut”.

    Kjo grua nuk është si gratë e tjera, por është një grua të cilës Allahu i a dhuroi bukuri dhe pozitë të lartë. Ky lloj i grave për burrat është shumë sprovë e madhe pasi që atë e dëshiron çdo burrë dhe propozimin e saj për të bërë imoralitet nuk mund ta refuzojë vetëm se ai që ka besim të thellë dhe që është largpamës.

    Jusufi, alejhi selam, do të jetë udhëheqësi i këtij grupi në Ditën e Kiametit, për shkak se e refuzoi ftesën e gruas së ministrit të bën imoralitet me të. Edhe pse i plotësonte të gjitha kushtet ta bën këtë vepër të shëmtuar me të, ishte i vetëm larg familjes, përpara tij e kishte një grua e cila njihej si një ndër gratë më të bukura të Egjiptit dhe ishin të dy të vetmuar në pallatin e saj larg syve të njerëzve, prapëseprapë tha se unë i frikësohem Allahut dhe dënimit të Tij.

    Allahu, azze ue xhel, për ata që i frikohen Allahut dhe i largohen të shëmtuarës thotë: Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin”. (En-Naziat: 40-41)

    Kadi Ijadi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Është veçuar ky lloj i gruas për shkak se ky është lloji më i kërkuar nga burrat dhe lloji që më së vështiri arrihet deri tek ai. Kjo grua i posedon dy cilësi kryesore bukurinë dhe pozitën dhe nëpërmjet saj mund ta përfitojë çdo burrë. Durimi në këtë sprovë për shkak frikës prej Allahut, kur ajo të thërret në imoralitet me bukurinë e saj dhe me pozitën e saj, është prej gradave më të larta dhe nënshtrimeve më të mëdha. Për këtë shkak Allahu e shpërbleu atë që bën durim në këtë sprovë me futjen e tij nën hijen e Arshit të Allahut atë ditë ku nuk ka hije tjetër përveç hijes së Allahut. Me pozitë të lartë nënkuptohet ajo e cila ka pasuri dhe prejardhje fisnike”.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, e rrëfen një rast për tre veta ku veprat e tyre të sinqerta u bën shkak i shpëtimit të tyre prej një belaje që i kishte goditur, ndërsa prej veprave të njërit prej tyre ishte mos afrimi i imoralitetit për hir të Allahut.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Tre veta nga ata të cilët jetuan para jush duke udhëtuar i zuri shiu. U strehuan në një shpellë. Shpella u mbyll, njëri prej tyre iu tha të tjerëve: “O ju, për Allahun, askush nuk mund t’ju ndihmojë përveç sinqeritetit, andaj secili prej jush le të bëjë duanë në emër të sinqeritetit të vet që ka bërë ndonjëherë”. Njëri prej tyre tha: “Allahu im, Ti e di se unë e kam njohur një vajzë, të cilën e kam dashur më shumë se tërë botën. E nxitja të bëjë gjynah e ajo refuzonte, derisa ajo ra në zor të madh për të holla dhe kishte nevojë për njëqind dinarë. Unë i mblodha ato dhe ia dhashë. Ajo atëherë mu nënshtrua. Kur i hyra në mes të këmbëve më tha: “Frikësohu nga Allahu! Mos ma hap unazën vetëm se në mënyrë të rregullt siç bëhet në kurorë”. Unë menjëherë u çova, ndërkaq njëqind dinarët ia lashë. Ti e di se këtë e bëra nga frika ndaj Teje, andaj na çel derën!”. Allahu atëherë e largoi pak shkëmbin dhe e hapi një vrimë…”.

    1. Personi që jep për bamirësi dhe e fsheh

    Ka plot njerëz që japin lëmoshë dhe që shpërblimi tek Allahu është i madh për ta, mirëpo ky njeri i cili do të jetë nën hijen e Arshit të Allahut dallohet prej të tjerëve me një gjë, e ajo është se sinqeriteti i tij në dhënien e lëmoshës është shumë i madh derisa e arrin gradën saqë dora majtë nuk e di se çka jep dora e djathtë. Allahu, azze ue xhel, i lavdëroi ata që japin lëmoshë dhe tha: “T’i jepni lëmoshat haptazi, është gjë e mirë”, e pastaj i veçoi ata që e japin fshehurazi dhe tha: “por t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi, është edhe më mirë dhe ju shlyen disa nga gjynahet tuaja. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni”. (El-Bekare: 271)

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: Sadakaja e fshehtë fikë hidhërimin e Allahut ashtu siç fikë uji zjarrin”.

    1. Personi që e kujton Allahun në vetmi dhe sytë e tij lotojnë

    Në zemrën e këtij njeriu mbisundon dashuria ndaj Allahut. Ky njeri e do dhe e madhëron Allahun, kur ulet në vetmi i kujton begatitë dhe të mirat të cilat ia ka dhënë Allahu, e kujton madhërinë e Tij dhe sytë e tij lotojnë dhe e kërkojnë shikimin dhe takimin e Allahut, azze ue xhel.

    Allahu, azze ue xhel, për këtë lloj njerëzish thotë: Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten”. (El-Enfal: 2)

    Po ashtu, Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kur dëgjojnë për atë (Kur’anin) që i është zbritur të Dërguarit, i sheh se si u rrjedhin lotët nga sytë, për shkak të së vërtetës që kuptuan. Ata thonë: “O Zoti ynë! Ne besojmë, prandaj na llogarit ndër dëshmitarët e Tu!”. (El-Maide: 83)

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: Dy sy nuk i prek zjarri i Xhehenemit: Syrin që qan nga frika e Allahut dhe syrin që tërë natën mbetet zgjuar duke ruajtur në rrugën e Zotit”.

    I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte njeri që qante shumë prej frikës së Allahut dhe po ashtu njerëzit e mirë që jetuan para tij dhe pas tij dhe kjo pa dyshim se vjen si rezultat i zemrës së butë që e kishin, si pasojë e përmendjes së tepërt të Allahut, azze ue xhel.

    Allahu iu kërcënua atyre që zemrat e tyre i kanë të forta si guri dhe që nuk e përmendin Allahun duke u thënë: Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu! Njerëz të tillë janë në humbje të qartë!”. (Ez-Zumer: 22)

    E lus Allahun me emrat e Tij të bukura dhe cilësitë e Tij të larta të na bëjë neve, fëmijët e tanë dhe familjet e tona prej një prej këtyre grupeve të shpëtuara dhe të na fut nën hijen e Arshit të Tij, atë ditë kur nuk do të ketë hije tjetër përveç se hijes së Arshit të Allahut.

    Përgatiti dhe përktheu: Irfan JAHIU

     

     

     

     

     

     

  • RREZIKU I PIJEVE ALKOOLIKE DHE NARKOTIKËVE

    RREZIKU I PIJEVE ALKOOLIKE DHE NARKOTIKËVE

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e pejgamberëve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin, biri i Abdullahut dhe rob i Allahut.
    O ju njerëz, frikojuni dhe falënderoni Allahun i cili e nderoi njeriun nga krijesat tjera ashtu siç e përmend edhe në Librin e Tij: “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar”. (El-Isra: 70)

    Nga ajo që e nderoi Allahu njeriun është mendja. Ajo e bën të dallohet nga kafshët dhe ia mundëson të dallojë mes të mirës dhe të keqes dhe të dëmshmes dhe të dobishmes. Njeriu nëse e humb mendjen atëherë nuk do të ketë dallim mes tij dhe kafshës. Madje, kafsha do të jetë në një gjendje më të mirë se sa njeriu për arsye se nga kafsha ka mundësi të përfitohet diçka kurse nga njeriu i cili e humb mendjen e tij nuk ka mundësi të përfitohet asgjë. Me mendje njeriu i mediton argumentet e Allahut dhe me mendje shpik dhe zbulon dhe prodhojë.

    Mendja është ajo e cila e nxit njeriun të stoliset me gjëra të mira dhe të largohet nga ato të ligat, të bën mirë dhe të largohet nga bërja e dëmit. Allahu i qortoi ata që nuk mendojnë dhe i gradoi në një gradë më të ulët se atë të kafshëve dhe tha: “A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër, veçse si bagëti. Madje, ata janë edhe më të shmangur nga rruga e drejtë”. (El-Furkan: 44)

    Allahu ndaloi nga përdorimi i gjërave që e dëmtojnë mendjen dhe caktoj kufij dhe dënime për ata që i tejkalojnë ato. Mendja është një nga pesë gjërat e patjetërsueshme në të cilën janë unik të gjitha fetë qiellore se ajo duhet të ruhet, për arsye se me ruajtjen e saj mbrohen edhe dobitë dhe interesat njerëzore. Ai që e ka të humbur mendjen e dëmton veten duke e futur në rrezik dhe duke e sulmuar tjetrin e me këtë e rrezikon edhe sigurinë e shoqërisë dhe në të frikë dhe terror. Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?”. (El-Maide 90: 91)

    Allahu i qartësoi dëmet e alkoolit dhe të gjërave tjera të cekura në ajet se ato janë nga veprat e ndyra të shejtanit, se ajo shkakton në shoqëri çorodi dhe armiqësi dhe urrejtje mes anëtarëve të saj dhe i largon nga përmendja e Allahut, ku nëpërmjet saj ngjallen zemrat, dhe i largon nga falja e namazit, që largon nga e liga dhe imoraliteti. Të gjitha këto janë dëme të mëdha dhe rreziqe të shumta.

    Alkool konsiderohet çdo gjë e cila e mbulon apo e deh trurin pa marr parasysh se nga çfarë lënde është prodhuar dhe me çfarë emri e kanë emërtuar. Përcillet me një hadith se do të vijë një kohë kur njerëzit do ta emërtojnë me emra të tjerë mirëpo emrat nuk e ndryshojnë realitetin. E njëjtë me alkoolin apo më mirë të themi se më e rrezikshme se alkooli është çdo gjë që e dobëson dhe e vyshk trupin e njeriut dhe ia dëmton shqisat. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka ndaluar nga çdo gjë që e deh trurin dhe e dobëson trupin.

    O muslimanë, armiqtë juaj gjithmonë planifikojnë shkatërrimin e juaj dhe dëmtimin e juaj nëpërmjet çdo mjeti, ashtu siç edhe Allahu e cek në Kur’an: “Ata dëshirojnë që të vuani. Urrejtja shfaqet në gjithçka që del prej gojës së tyre, kurse ajo që fshehin në zemrën e tyre, është edhe më e madhe”. (Ali Imran: 118)

    Nga planifikimet më të fëlliqura të tyre dhe nga armët më të rrezikshme që i përdorin në këtë kohë është arma e narkotikëve. Ata i mbjellin narkotikët dhe i prodhojnë dhe i eksportojnë në vendet e juaja dhe i përhapin në mesin e juaj në mënyra të llojllojshme dhe të fshehta, duke e ndihmuar përhapjen e saj shejtanët njerëz nga tregtarët e shkatërrimit të cilët i shesin këto narkotik në vendet dhe shtëpitë e muslimanëve. Ata, përhapësit e narkotikëve, e meritojnë dënimin më të rreptë për arsye se përhapin nëpër tokë shkatërrim dhe dëm dhe detyrohet çdo njëri që i njeh t’i lajmërojë në organet kompetente që të mbrohen nga sherri i tyre. Kjo është nga bashkëpunimi në mirësi dhe devotshmëri dhe nuk lejohet mbrojtja e tyre dhe ndërmjetësimi për ta.

    O muslimanë, narkotikët janë më të rrezikshme se sa alkooli për arsye se ato e shkatërrojnë mendjen dhe karakterin dhe ia humb xhelozinë njeriut. Të përbashkët me alkoolin e kanë dehjen kurse dëmet i ka më të mëdha se sa ajo. Disa nga dijetarët i kanë cekur se në të janë njëqind e njëzet dëme në fe dhe dynja.

    Nga dëmet e narkotikëve në fe janë: Ajo e largon njeriun nga përmendja e Allahut, ia humb turpin dhe moralin dhe shkakton lënien e namazit dhe bërjen e mëkateve.

    Nga dëmet e saj trupore janë: Ajo e dëmton trurin, shkakton sëmundje të ndryshme, e djeg gjakun, e ngushton shpirtin, e dëmton mëlçinë, e dobëson të shikimin, jep vesvese dhe i dobëson ambiciet, e dëmton sistemin nervor dhe shkakton çmenduri, etj.

    Narkotikët pra, janë arma më e fortë të cilën e përdorin armiqtë për ta shkatërruar një shoqëri njerëzore. Ato janë një ndër rreziqet më të mëdha të cilat i kanosen shoqërive me shkatërrim dhe zhdukje e mos të flasim për sëmundjet ngjitëse të cilat vijnë si rezultat i saj.

    Përhapësit e saj me qëllim të fshehjes së saj përdorin metoda të llojllojshme duke ia ndryshuar pamjen, formën dhe emrin me qëllim që të mos dallohet se është narkotik dhe tentojnë që atë ta përhapin në mesin e njerëzve. Prandaj mos i lejoni fëmijët e juaj të shoqërohen me njerëz të tillë dhe kujdesuni për edukimin e tyre në mënyrë të drejtë dhe mësojani rrezikun e saj dhe dëmet që i shkakton në shoqëri.

    O muslimanë, i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e mallkoi atë që e pi alkoolin, atë që e prodhon, që e përhap dhe që e ndihmon përhapjen e tij dhe lajmëroi se ai që është dhënë pas alkoolit është si adhuruesi i idhujve. Ai që e bën hallall duke qenë i vetëdijshëm për ndalesën e tij bën kufër, kurse ai që e pi duke e pasur bindjen se ai është i ndaluar konsiderohet si veprues i një mëkati të madh dhe nga ai kërkohet pendim i sinqertë.

    Nuk lejohet përdorimi i tij për kënaqësi apo për shërim. Kur u pyet i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për alkoolin i cili përdoret si ilaç tha: “Ai është sëmundje e nuk është ilaç”.

    Njerëzit sot shpesh arsyetohen se e përdorin për ilaç apo se mjeku u ka preferuar ta përdorin për shërim, por arsyetimi i tyre nuk pranohet aspak dhe ata i bëjnë gjynah Allahut pa të drejtë. Për çdo sëmundje ka zbritur ilaç i lejuar dhe për këtë arsye nuk ka nevojë që ai të kërkohet aty ku Allahu nuk është i kënaqur me ne.

    Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • PUSHIMET DHE UDHËTIMET

    PUSHIMET DHE UDHËTIMET

    1. Njeriu përgjatë jetës së tij kalon nëpër stacione të ndryshme, ku disa nga to ndërtojnë e disa nga to shkatërrojnë, disa nga to janë shkak për lumturi e disa nga to janë rrugë për mërzi, disa nga to për nga kohëzgjatja janë të shkurtra sikurse të jenë disa orë e disa nga to të gjata sikurse të jenë vite.

    Pavarësisht gjithë kësaj, e vërteta është se të gjitha llojet e stacioneve do të kalojnë dhe ajo që mbetet janë punët e njeriut që i punoi.

    1. Koha për njeriun në realitet është jeta e tij dhe koka e kapitalit të tij, ashtu siç Hasan el Basrij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “O biri Ademit! Ti nuk je asgjë më tepër se një grumbull ditësh. Me kalimin e një dite, kalon edhe një pjesë e jotja.”[1]
    2. Koha e njeriut mund të bëhet shkak për lumturinë e tij apo për pikëllimin e tij në të dyja botët, prandaj çdo kohë e njeriut që është për Allahun dhe me Allahun, ajo është jeta e tij, ndërsa koha e njeriut që nuk është për Allahun dhe me Allahun, nuk llogaritet nga jeta e tij.

    Kush e kalon kohën në shkujdesje, pakujdesi dhe shpresa të kota dhe kohën më të mirë që e kalon është në gjumë dhe papunësi, vdekja për të është më e mirë sesa jeta e tij.”[2]

    1. Ibën El Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Kujt Allahu ia do hairin, e ndihmon me kohën dhe kohën e bën në favor të tij. Kujt Allahu ia do sherrin, kohën ia bën kundër tij dhe në disfavor të tij dhe çdoherë kur dëshiron të përgatitet për rrugëtim, kohën nuk e ka në përkrahje të tij. Kurse tek i pari, çdoherë që vetvetja mundohet ta ulë, koha e ngre dhe e ndihmon atë.”[3]

    Prandaj, kërko ndihmë prej Allahut që të ta ruajë kohën dhe ta shfrytëzosh në atë që të bën dobi dhe mbështetju Allahut, shpeshtoji lutjet dhe përuljen para Tij, sepse të gjitha çështjet janë në Dorën e Allahut. Nuk ka kush e ndalon atë që Ai e jep dhe nuk ka kush e jep atë që Ai e ndalon.

    1. Shfrytëzimi i kohës së lirë dhe përdorimi i saj në punë të mira është ndër begatitë themelore të Allahut për robin. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Në dy begati janë të mashtruar[4] shumica e njerëzve, e ato janë shëndeti dhe koha e lirë.”[5]

    Shëndeti dhe koha e lirë janë kapitali i njeriut dhe fjala e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “të mashtruar shumica e njerëzve” aludon se atyre që u jepet mbarësi në to janë pak.

    Njeriu mund të ketë shëndet, mirëpo të mos jetë i lirë për adhurim shkaku i angazhimit të tij me shkaqet e jetesës, mund të jetë i lirë dhe pa angazhime, mirëpo të mos ketë shëndet, e kur këto dy begati gjenden dhe bashkohen te një njeri dhe pastaj tek ai mbizotëron përtacia në adhurim, ai me të vërtetë është i mashtruar dhe i humbur, duke e marrë parasysh faktin që jeta është e shkurtër dhe pengesat në rrugën e adhurimit janë të shumta.[6]

    1. Sheriati motivon që koha e lirë të shfrytëzohet në favor të njeriut. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Shfrytëzoji pesë gjëra para pesë të tjerave: rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para angazhimit dhe jetën para se të vijë vdekja.”[7]

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, qartësoi se secili njeri në Ditën e Kiametit do të merret në llogari për kohën e tij, se çfarë punoi në të dhe tha: “Nuk do të lëvizë këmba e asnjë birit të Ademit në Ditën e Kiametit prej te Zoti i tij, derisa të mos pyetet për pesë gjëra: për jetën e tij se si e kaloi, për rininë e tij se si e shfrytëzoi, për pasurinë e tij se prej ku e fitoi dhe ku e harxhoi, dhe se çfarë veproi me atë që e mësoi.”[8]

    Koha është e shtrenjtë përderisa kujdesesh për të ….. dhe po e shoh se koha më së lehti po të humb.

    1. Nga përsosuria dhe madhështia e fesë islame është se legjislacioni i saj i përfshin të gjitha sferat e jetës. Islami është rrugë dhe metodologji e plotë dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha fushat e jetës njerëzore, është fe e vlefshme për çdo kohë dhe çdo vend, që garanton dhe siguron çdo gjë që është në të mirën dhe lumturinë e njerëzve në dynja dhe ahiret, është fe që përputhet me natyrshmërinë e shëndoshë të njeriut, ashtu siç Allahu thotë: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit…” (Er-Rum: 30)

    Islami është fe e lehtësimit dhe tolerancës, mesatares dhe ekuilibrit, realitetit dhe shëmbëlltyrës. Allahu thotë: “Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” (El-Bekare: 185)

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Jam dërguar me fenë e pastër monoteiste tolerante.”[9]

    1. Nga lehtësimi dhe toleranca e fesë islame është se njerëzve ua zgjeroi të lejuarën dhe nuk ua vështirësoi duke e ngushtuar atë.

    Allahu neve na i lejoi gjërat e mira dhe tha: “…do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat…” (El-Earaf: 157). Sheriati nuk e ceku hollësisht çdo të mirë dhe të lejuar, sepse ato në numër janë shumë dhe nuk mund të përkufizohen. Në esencë për sa u përket gjërave, është rregull që çdo gjë është e lejuar derisa të vijë argumenti se ajo gjë është e ndaluar, kurse te ndalesat është e kundërta, ato janë përmendur hollësisht, shkaku se numri i tyre është i përkufizuar dhe me qëllim që ato më mirë të njihen dhe të largohen: “Ai tashmë jua ka shpjeguar ç’është e ndaluar, përveçse kur jeni në shtrëngesë?!” (El-Enam: 119)

    Allahu i qortoi ata që i pengojnë dhe i ndalojnë gjërat të cilat Ai i krijoi për robërit e Vet, dhe tha: “Thuaj: Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?” (El-Earaf: 32).

    1. E ligjshme është për një mysliman që ta relaksojë veten në kufijtë e të së lejuarës, me udhëtime dhe shëtitje, pushime dhe dëfrim të lejuar dhe kështu të gëzojë veten, familjen dhe fëmijët e tij, t’i arrijë kënaqësitë e lejuara nëpërmjet mjeteve të lejuara dhe duke e realizuar në këtë mënyrë baraspeshën në mes anëve të ndryshme njerëzore, duke e larguar mërzinë dhe lodhjen, duke e ripërtërirë ambicien dhe aktivitetin.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha Handhales, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “…mirëpo o Handhale, orë pas ore![10]” [11]

    Për qëllim është se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e porositi Handhalen që ta ndajë kohën e tij, një pjesë për adhurim dhe pjesëmarrje në xhami për të marrë dije dhe një pjesë për pushim dhe qetësim, që shpirti të mos mërzitet dhe të mos ndiejë lodhje nga adhurimi.

    Prandaj, gjatë tërë kohës kur jeni të pranishëm në xhami jepjani hakun Zotit tuaj, dhe gjatë kohës kur pushoni jepjani hakun vetes suaj.[12]

    Hadithi nuk e ka për qëllim atë që e mendojnë disa njerëz, se një orë për Zotin tënd në adhurim, një orë për zemrën tënde për të bërë mëkate, apo një orë në hallall e tjetrën në haram!

    Kuptimi i hadithit është që myslimani duhet t’ia japë vetes hakun me relaksim dhe me pushim në kufijtë e të së lejuarës dhe mos të jetë e tërë dita dhe nata e tij vazhdimisht në adhurim dhe prezentim në xhami, sepse këtë tempo nuk mund ta durojë asnjëri, por një të kohës së tij e bën për pushim, që shpirti të mos mërzitet dhe të mos ndiejë lodhje nga adhurimi.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha Abdullah ibën Amru ibën El-Asit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Dëgjova se çdo ditë po agjëron dhe çdo natë po fal namaz nate.” Tha: “Po”. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Nëse ashtu vazhdon, sytë do të të lodhen (nga pagjumësia) dhe trupi do të të ligësohet. Nuk ka agjëruar ai që agjëron tërë kohën. Agjërimi i tri ditëve është agjërim i tërë kohës.”[13]

    Dhe po ashtu Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Agjëro dhe ha, falu natën dhe fli, sepse ke hak ndaj trupit tënd, ke hak ndaj syrit tënd, ke hak ndaj gruas sate dhe ke hak ndaj mysafirit tënd.”[14]

    Selman el-Farisij i tha Ebu Derdas, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre: “Zotit i ke hak, vetes i ke hak dhe familjes i ke hak, prandaj jepja çdonjërit hakun e vet që e meriton”; dhe Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ia pohoi dhe ia vërtetoi fjalët e tij duke thënë: “Të vërtetën e ka thënë Selmani.”[15]

    1. Përcillet për këto fjalë se janë nga urtësia e familjes së Davudit, alejhi selam: “E ka hak i mençuri të mos i neglizhojë katër orë: orën ku në të i lutet Zotit, orën ku në të e llogarit veten, orën ku në të shkon te vëllezërit e tij myslimanë dhe e lajmërojnë për të metat e tij dhe ia thonë të vërtetën për veten e tij dhe orën ku në të ia lejon vetes të bëjë çfarë të dëshirojë në atë që është hallall dhe e bukur. Kjo orë e fundit është përkrahje dhe ndihmë për orët e para dhe çlodhje për zemrat.”[16]

    Përcillet nga Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të ketë thënë: “Pushoni zemrat tuaja për një kohë, sepse kur ato lodhen verbërohen.”[17]

    Bekr ibën Abdullah thoshte: “Shokët e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, loznin njëri me tjetrin duke u gjuajtur me lëvore të shalqirit, mirëpo kur ishte nevoja për ta, atëherë bëheshin burra.”[18]

    1. Pushimi dhe relaksimi i vetes në suaza të hallallit është i lejuar, por myslimani nuk duhet të harrojë se kjo për të është mjet e jo qëllim dhe synim, sepse esenca në jetën e myslimanit është përpjekja dhe ambicia e lartë dhe ngritja në gradat e përsosjes. Prandaj, nuk është e hijshme për një mysliman të lidhet me mjetet e relaksimit dhe pushimit, saqë ato të bëhen puna e tij kryesore që e preokupojnë, sepse pushimi, loja dhe dëfrimi, nuk lejohet që t’ia marrin myslimanit kohën në tërësi apo një pjesë të madhe të saj. Njeriu nuk është krijuar për pushim dhe lojë, madje ekziston rreziku që relaksimi dhe pushimi të bëhen pengesë dhe preokupim për njeriun që ta përmendë Allahun dhe ta falë namazin, t’i zbatojë detyrimet që bien mbi të, fetare dhe ato të dynjasë dhe të bjerë në mëkat.
    2. Ajo që është bërë zakon te njerëzit, që gjatë kohës së pushimeve dhe të ngjashme me to, të dalin në shkretëtirë apo det, me qëllim dëfrimi dhe relaksimi, është çështje e lejuar, madje mund të bëhet e pëlqyer, nëse i bashkëngjitet nijeti i mirë. E bën nijetin që me daljen e tij ta relaksojë veten dhe familjen, të ripërtërijë aktivitetin dhe të forcohet për adhurim, ta largojë lodhjen dhe mërzinë, që shpirti të mos e ndiejë për adhurim. Po ashtu e bën nijetin që ta gëzojë familjen dhe fëmijët e tij dhe të meditojë atë që e krijoi Allahu nga shenjat e shkretëtirës, detit, tokës dhe qiellit etj.
    3. Jeta e myslimanit e tëra është për Allahun, kur është serioz dhe kur bën shaka, kur punon dhe kur pushon, kur fle dhe kur është i zgjuar, kur udhëton dhe kur është vendas. Allahu thotë: “Thuaj: Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”. (El-Enam: 162-163)

    Nëpërmjet nijetit të mirë myslimani gjërat e lejuara i shndërron në adhurim. Ai nuk lejon që t’i ikën një orë nga jeta e tij pa ndonjë dobi, adetet e tij të përditshme dhe punët e tij që janë të lejuara, si ushqimi, pija, gjumi, ecja, i shndërron në adhurim, duke e bërë nijetin që nëpërmjet këtyre punëve të lejuara të forcohet dhe të fitojë energji për adhurim dhe ripërtëritje të aktivitetit. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Veprat shpërblehen sipas nijetit dhe çdonjëri e merr shpërblimin sipas asaj që e ka bërë nijet…”[19]

    Nëse myslimani për gjumin që e bën shpreson shpërblim tek Allahu dhe e bën me nijet që nëpërmjet gjumit të forcohet për adhurime dhe të pushojë për ta ripërtërirë aktivitetin e trupit që të marrë fuqi për adhurim, në këtë rast gjumi shndërrohet në adhurim dhe nënshtrim, ashtu siç Muadh ibën Xhebel i tha Ebu Musa El Eshariut, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre: “Unë flej në pjesën e parë të natës dhe pasi e bëj pjesën e caktuar të gjumit, zgjohem dhe lexoj nga ajo që Allahu e përcaktoi për mua. Për gjumin që e bëj shpresoj shpërblim tek Allahu ashtu siç shpresoj shpërblim për ngritjen nga gjumi.”[20]

    Përcillet për Ebu Derda, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se tha: “Unë e relaksoj veten me diçka nga loja dhe dëfrimi dhe kjo mua më ndihmon për në të vërtetën.”[21]

    1. Nga edukata e udhëtimit është që udhëtari t’i mësojë rregullat që ndërlidhen me udhëtimin dhe të mos bjerë në diçka të ndaluar apo të pakësojë gjë nga detyrimet. Pra, duhet t’i mësojë rregullat e shkurtimit dhe të bashkimit të namazit kur është në udhëtim, rregullat e tejemumit dhe marrjes së mesteve dhe të ngjashme me to e, nëse udhëton për gjueti, atëherë duhet t’i mësojë rregullat dhe edukatën e gjuetisë dhe therjes, kohën kur gjuetia lejohet dhe kur ndalohet etj.
    2. Nga edukata e udhëtimit është marrja e lejes për udhëtim nga prindërit, mosngarkimi i vetes me borxhe, pastaj falja e namazit të istihares, përgatitja për udhëtim me ushqim dhe pije, me busull dhe mjete sigurie, zgjedhja e shoqërisë së mirë, dalja herët, sepse në këtë kohë ka shumë bereqet dhe zgjedhja e vendit të përshtatshëm për familjen, të ulet dhe të qëndrojë në të. Po ashtu nga edukata e udhëtimit është të mos neglizhohet përmendja e Allahut, pastaj mësimi i dhikrit dhe lutjeve profetike, si: duaja e hipjes në kafshë apo mjet transporti dhe duaja e udhëtimit dhe zbritjes së shiut, si dhe nga edukata është edhe largimi i të tepruarit në shpenzim, ushqim dhe pije, pastaj mosdëmtimi i njerëzve, kujdesja për ambientin dhe pasuritë e tij, kujdesja për rrugët dhe vendet e përgjithshme dhe largimi i pengesave nga rruga. Pra, nuk ka dëm as të dëmtuar (reciprok), që nënkupton se askujt nuk guxohet t’i shkaktohet dëm, as dëmi i shkaktuar të kthehet në të njëjtën mënyrë.
    3. Namazi është shtylla më e madhe në Islam pas dy dëshmive (shehadetit), prandaj edhe myslimani përkujdeset fort që namazin ta falë në kohën e vet dhe me xhemat. Allahu thotë: “…atëherë faleni namazin të plotë, sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” (En-Nisa: 103), dhe besimtarë të vërtetë janë ata: “njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për ta përmendur Allahun dhe të cilët e falin namazin…” (En-Nur: 37). Prandaj, kujdes dy herë që gjatë udhëtimeve të mos e falësh namazin apo ta vonosh atë.
    4. Gjatë udhëtimit pëlqehet të thirret ezani dhe ikameti për namaz. Thirrja e ezanit në shkretëtirë ka shpërblim të madh, ngase në këtë rast e ngre të përmendurit e Allahut në një vend të braktisur. Ebu Seid El Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i tha njërit prej shokëve të vet: “Po e shoh se i do dhentë dhe shkretëtirën. Kur të jesh me dhentë në shkretëtirë, thirre ezanin dhe ngrije zërin gjatë thirrjes, sepse “kushdo që dëgjon thirrjen e ezanit nga xhindet, njerëzit apo krijesat e tjera, vetëm se do të dëshmojnë për të në Ditën e Kiametit.” Ebu Seidi tha: “Këtë e dëgjova nga Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.”[22]
    5. Nga sunetet e braktisura dhe që lehtë mund të ringjallet gjatë udhëtimeve nëpër shkretëtirë është falja e namazit me nallane (apo këpucë). Në një hadith Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kundërshtoni çifutët, sepse ata nuk falen me nallanet e as me mestet e tyre.”[23]
    6. Gruas i lejohet të dalë për relaksim në suaza të së lejuarës duke qenë e mbuluar sipas rregullave fetare, pa e shfaqur trupin e saj, pa u zbukuruar dhe parfumosur dhe pa u përzier me burra që nuk i ka mahrema (të afërt).
    7. Burri e ka për detyrë që të përkujdeset për gruan e tij dhe për mbulesën e saj. Gjithashtu ai vetë duhet ta ulë shikimin e tij që të mos shikojë në gra të huaja dhe të tregojë respekt për nderin dhe familjet e vëllezërve të tij myslimanë.
    8. Koha e pushimeve është mundësi madhështore për udhëtimet më të mëdha imanore siç është udhëtimi për në umre. Kryerja e umres është shkak për t’i shlyer gjynahet dhe për ta shtuar bereqetin në risk si dhe është relaksim për shpirtin. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Umra deri në umren tjetër është shlyese për mëkatet që janë bërë në mes të tyre…” [24]

    Me një hadith tjetër Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Bëjeni haxhin dhe umren në vazhdimësi, sepse këto të dyja e largojnë varfërinë dhe i fshijnë gjynahet, ashtu siç zjarri e largon ndryshkun e hekurit, arit dhe argjendtit.”[25]

    1. Gjatë kohës së pushimeve fitoi:

    – Ai që mësoi diçka nga Kurani apo ia mësoi tjetrit: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ia mëson tjetrit.”[26]

    – Ai që bëri hapa për të kërkuar dituri: “Kush e merr rrugën për të kërkuar dituri, atij Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në Xhenet.”[27]

    – Ai që përcolli dituri dhe e përhapi fenë dhe mirësinë: “Përcillni prej meje qoftë edhe vetëm një ajet.”[28]

    – Ai që udhëzoi për në hair dhe thirri për në udhëzim dhe dha këshillë: “Kush e udhëzon dikë për në hair, ai do ta ketë shpërblimin sikurse ai që e vepron atë mirësi.”[29], dhe “Kush thërret për në udhëzim, ai do ta ketë shpërblimin e të gjithë atyre që e pasojnë, pa iu pakësuar gjë nga shpërblimi i tyre.”[30]

    – Ai që i respektoi prindërit dhe e vizitoi farefisin e akrabatë dhe i respektoi të drejtat që i ka ndaj familjes së tij.

    – Ai që ushtroi sport ta forcojë trupin e tij dhe nijetin e bëri që kjo t’i ndihmojë për në adhurimin e Allahut: “Besimtari i fortë në trup është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët.”[31]

    – Ai që njoftoi shoqëri të mirë, të cilët e ndihmojnë dhe e përkrahin për në të vërtetën dhe e largojnë nga e keqja.

    1. O ti mysliman dhe myslimane:

    Mësoje përmendsh ndonjë sure të Kuranit, mësoje ndonjë ajet, mësoje ndonjë mesele, prezento në mësim, dëgjo ligjëratë, lexo ndonjë libër, shpërndaje ndonjë broshurë, shkruaje në pika të shkurtra ligjëratën dhe përcjellja tjetrit, përhape fenë, shkruaje një artikull, dizajno faqe, përmirëso ndonjë gabim, laja borxhin ndonjë vëllai, shoqëroje të mirin, jepi atij që s’ka, shpenzo pasuri, lehtësoja brengën të mërziturit, bëje umren, mësoje të paditurin, përcille xhenazen, vizitoje të sëmurin, projektoje ndonjë projekt, mbylle boshllëkun, jep dhe propozo ndonjë ide.

     

    E lusim Allahun të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin e mirë të tij, të na mësojë atë që na bën dobi, të na bëjë dobi me atë që e mësojmë dhe të na japë bereqet në kohën dhe jetëgjatësinë tonë.

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.

     

    [1] Hiljetu El Evlija, Ebu Nuajm El Asbahanij (2/148).

    [2] El Xhevab El Kafij, Ibën El Kajim (fq. 156), shkurtimisht.

    [3] Medarixh Es Salikin (3/125), vende-vende.

    [4] Në hadith në gjuhën arabe ka ardhur me fjalën ‘megbun’, që do të thotë i humbur; pra ai që nuk i përdor ato dy begati si e meritojnë dhe si duhet vetëm se është mashtruar dhe ka humbur, d.m.th. që ato i ka dhënë dhe i ka shitur lirë dhe fundi nuk do të jetë i mirë. (sh.a).

    [5] Buhariu (6412).

    [6] Shih: Keshful mushkil min hadith es sahihejn, Ibën Xheuzij (2/437), dhe Fet’hul Barij, Ibën Haxher (11/230).

    [7] Hakimi (7846), shejh Albani e saktësoi në Sahih El Xhami’ (1077).

    [8] Tirmidhiu (2416), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [9] Imam Ahmedi (22345), hadithi është edhe në Es Sahiha (2924).

    [10] Transmetohet nga Handhale, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, një nga shkruesit e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të ketë thënë: “Më takoi Ebu Bekri dhe më tha: “Si je, o Handhale?” I thashë: Handhale ka bërë hipokrizi! (Ebu Bekri) Tha: “Subhanallah (Lavdërimi i qoftë Allahut), çfarë po flet?” Unë i thashë:
    Ne shkojmë tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili na flet për Xhenetin dhe Xhehenemin aq qartë, si t’i shihnim me sytë tanë, ndërsa kur dalim nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ne jepemi pas dëfrimit me gratë, me fëmijët dhe gjëra të tjera dhe harrojmë shumicën nga ajo që dëgjuam. Ebu Bekri tha: “Pasha Allahun, edhe ne veprojmë ashtu!” Pastaj unë dhe Ebu Bekri u nisëm derisa erdhëm tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe unë i thashë: Ka bërë hipokrizi Handhale, o i Dërguari i Allahut! I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Ç’është ajo?” I thashë: O i Dërguari i Allahut ne ishim te ti dhe ti na e tërhoqe vërejtjen me Xhehenem dhe Xhenet aq qartë, sikur t’i shihnim me sytë tanë, por kur kemi dalë prej teje, ne e kemi vazhduar dëfrimin me gratë, fëmijët dhe gjërat e tjera të kësaj bote, saqë kemi harruar shumë nga ato që i kemi dëgjuar prej teje. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Pasha Atë që shpirti im është në Dorën e Tij, sikur të ishit të përhershëm – ashtu siç ishit tek unë, dhe sikur ta përkujtoni vazhdimisht këtë, juve do t’ju përqafonin dhe do t’jua kapnin duart engjëjt në shtratin tuaj dhe në rrugët tuaja, mirëpo o Handhale, orë pas ore!” Këtë e përsëriti tri herë.” Shënon Muslimi (2750); (Burimi: https://sq.wikibooks.org/wiki/Rijadu_Salihin_I/3) (sh.p.)

    [11] Muslimi (2750).

    [12] Shih: Mirkatul Mefatih, El-Mula Alij el-Karij (4/1550).

    [13] Buhariu (1979), Muslimi (1159).

    [14] Buhariu (1975), Muslimi (1159).

    [15] Buhariu (1968).

    [16] Ez-Zuhd, Ibën El-Mubarek (fq. 313), dhe Ez-Zuhd, Henad (2/580).

    [17] Ihja Ulum Ed-Din (4/376).

    [18] El Edeb El Mufred, Buhariu (fq. 266), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [19] Buhariu (1), Muslimi (1907).

    [20] Buhariu (4341), Muslimi (1733).

    [21] Ihja Ulumu Din (4/376).

    [22] Buhariu (609).

    [23] Ebu Davudi (652), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [24] Buhariu (1773), Muslimi (1349).

    [25] Tirmidhiu (810), Nesaiu (2631), hadithi është në Sahih Et-Tergib ue Et-Terhib (1133).

    [26] Buhariu (5027).

    [27] Muslimi (2699).

    [28] Buhariu (3461).

    [29] Muslimi (1893).

    [30] Muslimi (2674).

    [31] Muslimi (2664).

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan Jahiu

    Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”

  • PUSHIMI VEROR DHE UDHËTIMI

    PUSHIMI VEROR DHE UDHËTIMI

    Koha vetvetiu ecën shpejt dhe ai që është i shkujdesur në jetë harron se koha e tij me shpejtësi të madhe do t’i kalojë e më vonë edhe do ta shkatërrojë dhe do të bëhet shkak për brenga e pikëllim. Prandaj njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm për vlerën e kohës dhe mos ta harxhojë atë në gjëra të kota me të cilat Allahu nuk është i kënaqur. Në vazhdim do t’i cekim disa porosi të cilat shpresojmë që muslimanit do t’ia lehtësojnë kuptimin e udhëtimit dhe pushimit në përgjithësi e atij veror në veçanti.

    Porosia e parë: Udhëtimet më të mira janë ato që e kënaqin Allahun. Udhëtimet e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, pas shpalljes silleshin mes udhëtimit të tij për në hixhret dhe udhëtimit të tij për në luftëra të cilat ishin edhe më të shumtat, dhe mes udhëtimit të tij për në Haxh dhe Umre. Udhëtari gjatë udhëtimit të tij i sheh çudirat e vendeve, bukuritë e tokës dhe gjurmët e tij të cilat ia shtojnë imanin në fuqinë e Allahut dhe e nxisin në falënderimin e begative të Allahut: “Thuaj: “Udhëtoni nëpër Tokë dhe shikoni se si Ai e ka zënë fill krijimin”. (El-Ankebut: 20) Po ashtu, gjatë udhëtimit largohet mërzia e shtohet lumturia, merren mësime rreth popujve që kanë jetuar më herët, fitohet dituri e edukatë dhe fitohet shoqëri e furnizim për të mbijetuar: “Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai”. (El-Mulk: 15)

    Porosia e dytë: Udhëto vetëm me shoqëri të mirë. Gjatë udhëtimit pajisu me moralin më të lartë dhe sjelljet më të mira dhe kërko gjatë udhëtimit tënd një shok të drejtë dhe të devotshëm. Nëse të ngushtohen punët gjatë udhëtimit ai do të ndihmojë dhe problemet do t’i lehtësojë. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Mos u shoqëro me njeri mëkatar, se ai ta zbukuron veprën e tij dhe dëshiron që të bëhesh si ai dhe tenton t’i zbukurojë cilësitë më të shëmtuara”.

    Porosia e tretë: Pasoje traditën e Pejgamberit tënd, alejhi salatu ue selam. Ai kur udhëtonte dilte herët në mëngjes dhe e pëlqente që të udhëtojë ditën e enjte. Udhëtarët i urdhëronte që nëse janë tre në numër të marrin si udhëheqës njërin prej tyre dhe e urrente që njeriu të udhëton i vetëm pa shoqërim.

    Porosia e katërt: Allahu të ka begatuar me pasuri dhe me shëndet kurse shumë të tjerë i ka privuar prej këtyre begative. Për këtë arsye le të jetë udhëtimi yt vetëm se për në ndonjë çështje të lejuar dhe ke kujdes prej udhëtimit në haram. Ai që udhëton në udhëtim haram morali i tij i ndërrohet dhe feja e tij ndoshta i shkatërrohet. Muhamed ibën el Fadël, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Dyzet vite me radhë këmba ime nuk e ka bërë një hap për të udhëtuar ndokund vetëm se për Allah”.

    Falënderoje Allahun për begatitë duke iu larguar mëkateve dhe ruaju prej shpenzimit të tepërt dhe të panevojshëm dhe kujtoji muslimanët e varfër të cilët kanë nevojë për pasurinë tënde.

    Porosia e pestë: Gjatë udhëtimit tënd për relaksim, kujtoje udhëtimin e rëndë të dijetarëve për ta përmbledhur diturinë nëpër libra dhe për ta ruajtur këtë fe dhe për t’i dhuruar ty këto libra të cilat sot i lexon. Gjatë udhëtimit të tyre në kërkimin e diturisë dhe shënimit të historisë ballafaqoheshin me varfërinë e urinë, me rreziqet e pengesat, vetëm e vetëm që të fitojnë shpërblime dhe ta përhapin të vërtetën. Imami Is’hak ibën Mensur el Meruezij, Allahu e mëshiroftë, udhëtoi prej Nisaburit deri në Bagdad në këmbë duke i bartur librat e tij mbi shpinë dhe pyeste për meseletë e fikhut. Ibën Mendeh, Allahu e mëshiroftë, u nis për të kërkuar dituri kur i kishte vetëm se njëzet vjet. Në vendlindje u kthye kur i mbushi gjashtëdhjetë e pesë vjet, tërë kohën e kaloi në përmbledhjen e haditheve. Ebu el Alijeh, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Ishim në Basra dhe dëgjonim transmetime nga shokët e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, por kjo nuk na kënaqte derisa udhëtonim për në Medine dhe i dëgjonim prej gojëve të tyre”.

    Kjo është ambicie e lartë dhe synim i fuqishëm dhe ballafaqim me të gjitha pengesat dhe rreziqet për shërbimin e kësaj feje. Ti duke udhëtuar me familjen tënde për dëfrim e relaksim, i lumtur e i gëzuar, kujtoji vëllezërit tu muslimanë të cilat u larguan prej vendbanimeve të tyre me dhunë, familjet e tyre u shpërndanë nëpër botë dhe nuk gjetën as mburojë e as strehim.

    Gjatë udhëtimit tënd po ashtu kujtoji dijetarët dhe si ata kujdeseshin për kohën e tyre. Hasan el Basri, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Kam shoqëruar njerëz që e ruanin kohën e tyre më shumë se ju që i ruani dinarët dhe dërhemët e juaj”.

    Porosia e gjashtë: Gjatë udhëtimit mos e harro thirrjen në fenë e Allahut. Allahu e zbret bereqetin e Tij mbi atë njeri që ia mëson të tjerëve fenë dhe këshillon për të mirë kudo që shkon. Allahu, azze ue xhel, na lajmëron për Isain, alejhi selam, dhe thotë: Dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem”. (Merjem: 31) Me këtë arrin që udhëtimi yt të bëhet edhe adhurim edhe dëfrim.

    Porosia e shtatë: Begatia plotësohet vetëm kur qetësohet shpirti së bashku me trupin. Leximi i Kur’anit dhe përmendja e Allahut gjatë udhëtimit i jep udhëtimit qetësi dhe rehati. Allahu, azze ue xhel, thotë: Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”. (Er-Ra’d: 28) Me këtë begatohet trupi dhe kënaqet shpirti dhe të plotësohen dy begatitë.

    Vëlla musliman, kjo fe ka zbritur që ta mbrojë fenë e njeriut prej dyshimeve dhe epsheve dhe sprovave të ndryshme. Kohëve të fundit disa prej njerëzve janë sprovuar duke udhëtuar nëpër vende me të cilat nuk është i kënaqur Allahu, vende ku nuk respektohen ligjet e Allahut dhe u rrezikohet njerëzve feja dhe nderi i tyre. Allahu disa njerëzve ua ka lehtësuar udhëtimin për në ato vende me qëllim që t’ua merr shpirtin në ato vende. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kur Allahu ia cakton robit të vdes me një tokë, ia bën që të ketë nevojë për të dhe të niset kah ajo”.

    Ato vende janë të shkatërruara në moral dhe sjellje, janë sprovuar me dashurinë ndaj kësaj dynjaje dhe janë kapur për botën materiale duke e harruar atë shpirtërore. Prandaj mos i merr lakmi pasurisë së tyre dhe jetës së tyre se Allahu për ta thotë: Mos u josh (o Muhamed) nga pasuria dhe fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu kërkon t’i ndëshkojë ata në këtë jetë, kështu që t’u dalë shpirti duke qenë jobesimtarë”. (Et-Teube: 55); “Ata dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të pakujdesshëm”. (Er-Rum: 7)

    Nëse dëshiron pushim udhëto për në Meke, tokën më të dashur të Allahut, kryeje Umren e cila është shkak për faljen e mëkateve dhe një namaz në Harem është i barabartë me njëqind mijë namaze. Po ashtu udhëto për në Medine dhe vizitoje xhaminë e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ku namazi në të është i barabartë me një mijë namaze. Për ty ky udhëtim do të jetë një udhëtim imanor ku do t’i fitosh mirësitë e kësaj bote dhe botës tjetër. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Thuaj: “Udhëtoni nëpër Tokë dhe shikoni se si Ai e ka zënë fill krijimin”. (El-Ankebut: 20)

     Dr. Abdulmuhsin El Kasim

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • POROSI TË ARTA NË SHFRYTËZIMIN E PUSHIMEVE VERORE

    POROSI TË ARTA NË SHFRYTËZIMIN E PUSHIMEVE VERORE

    O muslimanë!

    Koha është jeta e njeriut dhe gjëja më e shtrenjtë e tij, prandaj edhe konsiderohet si njëra prej begative më të mëdha që ia ka dhënë Allahu robit të Tij.

    Muadh ibën Xhebeli, radijallahu anhu, na njofton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë. “Nuk do të lëvizë këmba e asnjë robi Ditën e Kiametit, derisa të pyetet për katër çështje: Jetën se si e kaloi, rininë se si e shfrytëzoi, pasurinë se nga e fitoi dhe ku e harxhoi dhe diturinë se si punoi me të.”

    Prej hadithit na bëhet e qartë se Ditën e Kiametit robi i Allahut nuk e bën një hap, vetëm se do të llogaritet për jetën e tij në përgjithësi dhe rininë e tij në veçanti, pastaj për pasurinë e tij si e ka fituar dhe shpenzuar dhe për kohën e tij se si dhe ku e ka kaluar.

    Abdullah ibën Abasi, radijallahu anhu, transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shumë njerëz nuk i shfrytëzojnë dy të mira: shëndetin dhe kohën e lirë.”

    Po ashtu ibën Abasi, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shfrytëzoi pesë gjëra para pesë të tjerave: Rininë tënde para se të arrijë pleqëria, shëndetin para se të arrijë sëmundja, pasurinë para se të vijë varfëria, kohën e lirë para se të zihesh me punë dhe jetën tënde para se të vijë vdekja.’’

    Kush e njeh periudhën e selefit dhe i pason ata do të vëren se ata ishin njerëzit që më së shumti kujdeseshin për kohën e tyre.

    Abdullah ibën Mesudi, radijallahu anhu, thoshte: “Nuk jam penduar gjatë jetës sime më shumë se atë ditë kur dielli ka perënduar dhe exheli më është afruar, ndërsa në llogarinë time nuk kam shtuar asnjë vepër të mirë.”

    Çdo njeri i mençur në rast se i mediton këto hadithe do të vërejë se çdo njeri është përgjegjës për kohën dhe jetën e tij dhe se koha është mall i shtrenjtë me të cilën dinë të bëjnë tregti vetëm njerëzit e mençur. Për fat të keq rinia jonë është sprovuar në humbjen e kohës në gjëra të kota dhe i kanë harruar përgjegjësit e tyre ndaj saj dhe e kanë neglizhuar thënien: “Koha është sikurse shpata. Po nuk e preve ti, të pret ajo ty.

    Tani gjendemi në periudhën e pushimeve verore ku edhe njerëzit më së shumti e neglizhojnë shfrytëzimin e saj dhe investimin në të dhe për këtë shkak i zgjodhëm disa porosi me të cilat shpresojmë që t’i bëjnë dobi muslimanëve.

    Porosia e parë: Mos u largohuni prej Kur’anit

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, në një hadith të gjatë të quajtur “hadithi i ëndrrës” të cilin na e përcjell Semrete ibën Xhundub, radijallahu anhu, thotë: “Natën më erdhën dy burra dhe më thanë ec përpara. Vazhduam të ecim derisa mbërritën pranë një burri të shtrirë me shpinë, te koka e të cilit qëndronte një burrë i cili ia thyente kokën me gurë. Kur e godiste guri rrokullisej dhe ai shkonte për ta marrë dhe nuk kthehej tek ai vetëm kur i mbyllej plaga dhe koka i kthehej në formën e mëparshme. Burri kthehej dhe e qëllonte sërish. I pyeta thotë Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, se kush është ky? Thanë dy burrat: Ec përpara dhe pastaj më thanë. Ai që ia thyenin kokën është njeriu që ia mësoi Allahu Kur’anin e nuk e lexoi gjatë natës dhe nuk punoi me të gjatë ditës. Kështu veprohet me këtë deri në Ditën e Gjykimit.”

    Ebu Musa El-Esharij, radijallahu anhu, thotë se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kur’anin, është sikurse shembulli i citrës, aroma e së cilës është e mirë dhe shijen e ka të mirë; shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kur’anin, është sikurse hurma, nuk ka erë, por shijen e ka të ëmbël; ndërsa shembulli i munafikut (hipokritit) i cili e lexon Kur’anin, është sikurse shembulli i krizantemës (lule vjeshte), aroma e së cilës është e mirë, ndërsa shija e hidhët. Shembulli i munafikut i cili nuk e lexon Kur’anin, është sikurse shembulli i kungullit të egër, që nuk ka aromë, kurse shijen e ka të hidhët.”

    Këto hadithe duhet të jenë stimulim i mirë për çdo musliman pa marrë parasysh pozitën e tij jetësore dhe vendin ku gjendet, që t’ia jap besën vetes së tij se do të lexojë diçka prej Kur’anit tërë jetën e tij, e jo vetëm në periudhën e pushimeve verore.

    Në vazhdim do ta paraqes një tabelë e cila do të ndihmojë në mësimin përmendësh të Kur’anit.

     

    Numri i ajeteve Periudha Koha e përfundimit
    Një ajet Çdo ditë 18 vite e 7 muaj e 9 ditë
    Tre ajete Çdo ditë 5 vite e 10 muaj e 13 ditë
    Pesëmbëdhjetë ajete Çdo ditë Një vit e dy muaj e një ditë
    Njëzet ajete Çdo ditë Dhjetë muaj e gjashtëmbëdhjetë ditë
    Një faqe Çdo ditë Një vit e tetë muaj e dymbëdhjetë ditë
    Dy faqe Çdo ditë Dhjetë muaj e gjashtë ditë

     

    Porosia e dytë: Ngopja e mendjes dhe trurit me atë çka të bën dobi

    Ti, o vëlla musliman, ky pushim është shans i mirë për lexim ditor që ta zgjerosh diapazonin tënd dhe t’i shtosh informacionet e duhura që të nevojiten. Lexo libra të ndryshëm që shpirtrat anojnë kah ato dhe që nuk bien në kundërshtim me fenë e Allahut, azze ue xhel, duke mos e neglizhuar edhe leximin e librave fetare sidomos ato libra të cilat i përmbajnë dispozitat e besimit, namazit dhe dispozitat e tjera fetare bazike.

    Porosia e tretë: Mbaji lidhjet farefisnore

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju” (En-Nisa: 1)

    Enes ibën Malik, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai njeri që dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë marrëdhëniet farefisnore.”

    Xhubejr ibën Mutim, radijallahu anhu, thotë se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai i cili këput lidhjet farefisnore.”

    Ebu Hurejra, radijallahu anhu, transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush i beson Allahut dhe Ditës së Kiametit le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”

    A ka më mirë se një njeri të kujdeset për familjen e tij, të pyet se a ka nevojtar e ti ndihmojë, dhe a ka të sëmur e ta vizitojë. Kjo i shton të mirat, dashurinë dhe afërsinë mes farefisit. Në rast se nuk mundesh t’i vizitosh le të jetë telefoni yt i bekuar me të cilin do t’i mbash lidhjet farefisnore, sidomos me ato të cilët nuk të vizitojnë.

    Porosia e katërt: Pushimi veror është periudhë e mirë për fejesë apo martesë

    Martesa është traditë e të gjithë pejgamberëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: Vërtet, edhe para teje Ne kemi sjellë të dërguar, të cilëve u kemi dhënë gra dhe pasardhës.” (Er-Rad’: 38)

    Me ngritjen e martesës sipas ligjit të Allahut, jeta sistematizohet, nderi i muslimanit mbrohet dhe gjendja e tij drejtohet. Allahu, azze ue xhel, thotë: “I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.(En-Nur: 32)

    Për fat të keq sot e vërejmë rininë tonë se si e vonojnë martesën me pretekst se janë shumë të rinj ose thonë se së pari duhet të mbledhim të holla dhe të posedojmë shtëpi e pastaj do të martohemi. Disa prej tyre i presin princat me kuaj të bardhë ose princeshat që të vinë dhe t’i propozojnë martesa dhe i harrojnë argumentet të cilat nxisin në martesë. Çdo vonesë shkon në dëm të tyre dhe më e keqja dhe më e rrezikshmja është se mund shumë lehtë të bien në imoralitet dhe ta meritojnë mallkimin e Allahut në dunja dhe ahiret në rast se nuk pendohen.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: O të rinj, kush ka mundësi të martohet le të martohet, sepse kështu e ruan më mirë syrin dhe e mbron organin e tij. E kush nuk mundet të martohet, le të agjërojë, sepse agjërimi është mburojë për të.”

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Nëse ju vjen (për t’ju kërkuar) ndonjëri me moral dhe përkushtim ndaj fesë, gjëra të cilat ju pëlqejnë, atëherë martojeni, përndryshe, do të bëhet fitne në tokë dhe çrregullime të gjëra.”

    Porosia e pestë: Vizitoni kampet verore fetare

    Kampet verore janë begati që na i mundësoi Allahu këtyre viteve të fundit. Në to ka shumë dobi si fetare ashtu edhe edukatore, sportive, kulturore etj. Mbikëqyrja e këtyre kampeve bëhet nga ana e njerëzve të sigurt të besueshëm në dituri dhe moral, të cilët e dëshirojnë të mirën dhe thirrin në të. Është mirë që çdo musliman së paku një herë të shkojë e të vizitojë ndonjë kamp dhe të bindet në atë se çka ofron ky lloj kampingu.

    O muslimanë!

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Humbja e kohës është më e keqe se vdekja, për shkak se humbja e kohës ta shkatërron dynjanë tënde dhe ahiretin tënd.”

    E lus Allahun, azze ue xhel, që të na bën prej atyre që dimë se si ta shfrytëzojmë kohën tonë.

    Hutbeja e dytë

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve dhe qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

    O muslimanë, në këtë periudhë një numër i madh i muslimanëve udhëtojnë në vende ku Allahu nuk është i kënaqur me to. Disa prej tyre shkojnë në det dhe e zhveshin trupin e tyre para të huajve, e disa prej tyre shkojnë në vende të imoralitetit që t’i bëjnë mëkat Allahut.

    Dijetarët na paralajmërojnë prej udhëtimeve në këto vende dhe asnjëri prej tyre nuk e lejon qëndrimin në këto vende. Përjashtim bëjnë vetëm se ata të cilët shkojnë për shërim ose për mësim të ndonjë lënde që nuk mësohet në tokat muslimane ose për thirrje në fenë e Allahut ose për tregti, mirëpo duke mos i harruar obligimet fetare dhe dispozitat e saj.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Unë jam i pastër (i pafajshëm) nga çdo musliman që jeton në mesin e idhujtarëve!”

    “Nuk kam lënë pas meje fitne (sprovim, përçarje) më të dëmshme për burrat se gratë.”

    “Frikohuni prej sprovës së dynjasë dhe sprovës së grave.”

    O muslimanë, kjo ishte edhe porosia e gjashtë dhe me këtë e përfundoj hutben e ditës së sotme dhe e lus Allahun, azze ue xhel, me emrat e tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta që të na mundëson që kohën tonë ta shfrytëzojmë në adhurime dhe në atë çka na bën dobi në këtë botë dhe ahiret dhe të na mbrojë prej të kotës dhe injorancës.

    Përgatiti dhe përshtati: Irfan JAHIU

     

  • SHKAQET E MOSPAJTIMIT MIDIS NJERËZVE

    SHKAQET E MOSPAJTIMIT MIDIS NJERËZVE

    Allahu, azze ue xhel, i bëri njerëzit që të dallohen prej njëri-tjetrit në natyrë, mendime, synime, ideologji, karakter, dëshira, e kështu me radhë, dhe pa dyshim se kur dallohet prej njëri-tjetrit atëherë vjen deri në mospajtim mes tyre. Ky mospajtim mund të themi se është në kornizën e të pranuarës deri atëherë kur nuk bie në kundërshtim me ligjin e Allahut, azze ue xhel. Çdo mospajtim që bie në kundërshtim me Kur’anin dhe Sunetin është i urryer dhe i ndaluar.

    Duke e marrë parasysh se ky lloj i problematikës është mjaft i gjallë, manifestim i realitetit të jetesës sonë të përditshme, është e nevojshme që t’i njohim shkaqet e këtyre mospajtimeve dhe konflikteve që t’u ruhemi paraprakisht dhe të pastrojmë dhe korrigjojmë veten nëse jemi zhytur në ndonjërën prej tyre, në mënyrë që të kontribuojmë sadopak sinqerisht për shuarjen e konflikteve.

    Prej shkaqeve të cilat çojnë deri në mospajtim mes njerëzve mund t’i numërojmë siç vijon:

    – Mosdija

    Mosdija e natyrës së tjetrit dhe synimeve të tij është një prej shkaqeve kryesore të cilat çojnë deri në mospajtim. Njeriu i paditur është armik i vetes dhe i të tjerëve dhe dëmi i tij në shoqëri është shumë i madh. Prandaj, Allahu, azze ue xhel, dhe i Dërguari i Tij, salallahu alejhi ue selem, i nxisin muslimanët që të pajisen me dituri dhe ta largojnë injorancën prej vetes së tyre. Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, thoshte se të gjithë bashkëbiseduesit e tij dijetarë i ka bindur me qëndrimet e tij, kurse në kontakt me të paditurit gjithmonë ka hasur në shumë vështirësi.

    – Pasimi i epshit

    Pasimi i epshit mund të jetë shkak që njeriu mos ta pranojë realitetin apo t’i mbrojë mendimet që i pëlqen vetëm se epshi i tij, qofshin ato të sakta apo jo, edhe atë duke mos i interesuar fare se a do të bie në mospajtim apo jo.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “O Davud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave, se ato të largojnë nga rruga e Allahut.” (Sad: 26); “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin”. (En-Naziat: 40-41); “A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?” (El-Furkan: 43)

    – Mospajtimi në natyrë, karakter, synime, dëshira!

    Të mirët anojnë nga e mira dhe në këtë janë unikë, derisa të këqijtë anojnë nga e keqja dhe në këtë janë unikë. Këto janë kundërshti që nuk mund të pajtohen. Njeriu i mirë kurrë nuk mund të pajtohet me dhunën, as që do ta durojë, as që mund ta tolerojë te tjetri dhe ka për obligim ta pamundësojë tiranin që të veprojë.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: Shpirtrat e afërm janë unikë. Ata që njihen bashkohen, kurse ata që kundërshtohen, shpërndahen.”

    – Polemikat dhe debatet

    Polemikat dhe debatet e ndaluara janë ato të cilat synojnë mbrojtjen e interesave apo mendimeve personale dhe të xhematit me çdo kusht duke e mposhtur tjetrin me metoda të ndryshme qofshin ato edhe djallëzore.

    Imam Maliku thotë: “Debatet e ngurtësojnë zemrën dhe shkaktojnë pakënaqësi.”

    Hasan el Basriu dëgjoi disa njerëz të cilët po debatonin mes tyre dhe tha: “Këta janë mërzitur nga adhurimi, nuk e peshojnë atë që flasin, e kanë të dobët devotshmërinë, ndaj dhe flasin e debatojnë.”

    Këtu bën përjashtim ai debat që zhvillohet në formë bashkëbisedimi dashamirës, duke ruajtur normat dhe etikën e debatit si dhe duke pasur qëllim të mirë.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Polemizo me ta në mënyrën më të mirë.” (El-Ankebut: 46)

    – Mendimi i keq për muslimanin dhe paragjykimi

    Kjo vjen si rezultat i mosbesimit tek të tjerët derisa mund të arrijë problemi deri në atë gradë që mos t’i besojë askujt dhe të ketë mendim të keq për të gjithë. Pas këtij probleme qëndrojmë shumë sëmundje si mahnitja me vetveten, akuza e të tjerëve, dëshira për nënçmim, etj.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah.” (El-Huxhurat: 12)

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Hiqeni prej vetes dyshimin (paramendimin e keq dhe rezultatin e tij), ngase ai është veti nga më të këqijat.

    Seid ibën Musejeb, radijallahu anhu, thoshte: “Më porositën disa vëllezër muslimanë që të kem mendim të mirë për vëllain tim musliman, derisa të del në shesh e kundërta.”

    – Smira, zilia e të mirave te tjetri

    Ziliqar është ai që kur ia sheh njerëzve begatitë që u janë paraqitur brengoset dhe shpreson e kujdeset që ato t’i humbin, ndërsa kur i godet ndonjë sprovë dhe e keqe ai kënaqet.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nëse ju vjen ndonjë e mirë, ata i brengos e, nëse ju gjen ndonjë e keqe, ata gëzohen, por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që punojnë ata.” (Ali Imran: 120)

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Mos keni zili njëri-tjetrin.”

    – Urrejtja dhe zemërimi

    Kjo do të thotë veprim i gjërave që nxisin urrejtjen mes njerëzve prej fyerjeve, talljeve, përgojimeve, bartjeve të fjalëve, etj.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Mos u urreni, mos ia ktheni njëri-tjetrit shpinën dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër.

    Ibën Rexheb el Hanbeli, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu i ka lavdëruar ata që falin edhe kur janë të zemëruar, siç shprehet në ajetin: “E kur zemërohen, ata falin”, sepse zemërimi e shtyn njeriun të mos mbajë drejtësi dhe të mos flasë të vërtetën dhe pikërisht në atë moment ndodh largimi i zemrave dhe acarimi i marrëdhënieve mes muslimanëve.”

    – Mendjemadhësia dhe nënçmimi i të tjerëve

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, e kërcënon atë që në zemrën e tij ka mendjemadhësi se nuk do të hyjë në Xhenet. Thotë, salallahu alejhi ue selem: “Nuk do të hyjë në Xhenet ai, që në zemrën e tij ka një grimcë mendjemadhësie.” – Një prej burrave tha: O i Dërguar i Allahut, dikush dëshiron, që rrobat dhe sandalet t’i ketë të bukura? – Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është refuzimi i të vërtetës dhe sjellja me arrogance ndaj njerëzve”.

    Refuzimi i të vërtetës do të thotë mospranimi i saj dhe refuzimi me mendjemadhësi i atij, që e thotë atë. Ndërsa sjellja me arrogancë ndaj njerëzve bëhet duke i poshtëruar dhe përbuzur.

    – Thashethemet, përgojimi, zbulimi i të metave dhe bartja e fjalëve nga njëri tek tjetri

    Këto shkaqe ndikojnë negativisht në marrëdhëniet midis njerëzve duke shkaktuar ftohjen e marrëdhënieve, duke i mbushur zemrat me pakënaqësi, duke ndërprerë lidhje dhe duke ndarë të afërmit.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun!(El-Huxhurat: 12)

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk hyn në Xhenet thashethemexhiu”, dhe po ashtu thotë: “Mos u merrni me të metat e të tjerëve (as kur këto i mbani në vete e as kur ato doni t’i publikoni).”

    Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kam takuar në Medine njerëz që nuk kishin të meta, por kur filluan të merren me të metat e tjerëve, atëherë vet u bënë me të meta. Po ashtu kam takuar në këtë qytet njerëz që kishin shumë të meta, por kur heshtën për të metat e të tjerëve, Allahu ia mbuloi të metat e tyre”.

    – Pushteti, postet dhe autoriteti

    Shpeshherë konfliktet mes njerëzve ndodhin për poste dhe autoritet, duke bërë që të garojnë qoftë edhe duke shkelur vlerat e të tjerëve, madje duke përdorur masën e gjerë naive për të arritur interesa të ngushta personale, gjë e cila çon në urrejtjen mes njerëzve dhe në pengimin e përparimit të atyre që e meritojnë, duke i penguar edhe njerëzit që të përfitojnë prej tyre. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vallë, a i kanë zili njerëzit për mirësitë që Allahu u ka dhënë atyre?!” (En-Nisa: 54)

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur ti lihet çështja në dorë atyre që nuk janë të aftë për të, prite Kiametin”.

    Mospajtimi në qëndrime dhe mendime, eksluziviteti medh’hebor dhe fanatizmi pas dikujt apo diçkaje përveç së vërtetës, qoftë ndaj një grupi, fisi, partie apo një personi të caktuar

    Kjo i bën ata të shkelin parimet e ligjëruara nga Allahu dhe të duan apo të urrejnë, të miqësojnë apo të armiqësojnë dikë sipas fanatizmit të tyre.

    Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk i takon askujt që të caktojë një figurë – kushdo qoftë ai- dhe të dojë apo të urrejë për shkak të përputhjes me të në fjalë dhe vepra, sepse përndryshe do jetë nga ata që Allahu i ka cilësuar duke thënë: “Ata të cilët e përçanë fenë e tyre në grupime, ku secili i gëzohet idesë së tij.”

    Nuk i takon askujt që të thërrasë në diçka apo ta besojë atë vetëm pse e ka thënë dikush nga ata që ai i do, por le të thërrasë në të, sepse është nga ato çështje që i ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij.

    – Risitë dhe shpikjet në fe

    Kjo vjen duke folur për fenë e Allahut atë që nuk është e vërtetë, çka shkakton reagimin e pasuesve të Sunetit në mbrojtjen e fesë nga devijimet, që të ruhet e pastër ashtu siç është shpallur.

    Ibën Batah, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Shpikësit në fe dalin nga uniteti në përçarje, nga rregullsia në çoroditje, nga mirëkuptimi në përplasje, nga përputhja në kundërshtime, nga dashuria në urrejtje, nga këshilla dhe dashamirësia në mashtrim dhe armiqësi.”

    Këto ishin disa nga shkaqet e mospajtimit midis njerëzve. Nuk duhet harruar faktin se shfaqja dhe faktorët që ndikojnë në shfaqjen e tyre ndonjëherë mund të jenë të dukshme apo të kenë ndonjë prapavijë të fshehur. Mirëpo sidoqoftë, kur shpirtrat përplasen, plagët hapen dhe mendimet largohen, atëherë njerëzit përçahen dhe me këtë Umeti dobësohet, ndërsa armiku i Islamit forcohet.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kur’anin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë. (Ali Imran: 103)

    Zgjodhi dhe përgatiti: Irfan Jahiu

     

  • DITËT E TESHRIKUT – DISPOZITA DHE DOBI

    DITËT E TESHRIKUT – DISPOZITA DHE DOBI

    1. Ditët e Teshrikut, dita e njëmbëdhjetë, e dymbëdhjetë dhe e trembëdhjetë e Dhulhixhes, janë tri ditët që vijnë pas ditës së Kurban Bajramit. Ndryshe quhen edhe si ditët e Minës, ngase në këto ditë haxhilerët qëndrojnë në Mina, dhe njashtu janë ditë të gjuajtjes së guralecëve në Xhemarat.
    2. Ditët e Teshrikut janë quajtur me këtë emër shkaku se mishi i kurbanit theret dhe bëhet copa dhe shtrihet në diell për t’u tharë apo terur. Thuhet se me therje të kurbanit nënkuptohet copëtimi i saj dhe ndarja pjesë-pjesë. Thuhet njashtu se janë quajtur me këtë emër shkaku se kurbani nuk theret derisa të lindë dielli.[1]
    3. Në ditët e Teshrikut haxhilerët i gjuajnë guralecët në tre Xhemaratet: Xhemaratin e vogël, të mesmin dhe të madhin. Haxhiu gjuan nga shtatë guralecë te të tre Xhemaratet, gjatë çdo gjuajtjes bën tekbir (thotë Allahu ekber) dhe ato i gjuan për çdo ditë pas animit të diellit (nga kupa e qiellit) dhe kohëzgjatja e gjuajtjes është deri në sabahun e ditës tjetër. Haxhiu pasi i gjuan guralecët në ditën e parë dhe në ditën e dytë, dhe me këtë përfundojnë detyrimet e haxhit, në ditën e tretë preferohet që gjuajtjen ta vonojë sepse kështu veproi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Allahu në Kuran thotë: “Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut.” (El-Bekare: 203)
    4. Bujtja në Mina është nga detyrimet e haxhit dhe haxhilerët detyrohen që natën e njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë të Dhulhixhes ta kalojnë në Mina. Nëse haxhiu dëshiron që edhe natën e trembëdhjetë ta kalojë në Mina, gjë që pëlqehet të veprohet, atëherë i detyrohet bujtja edhe natën e trembëdhjetë, kurse ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë, iu lejohet ta braktisin bujtjen në natën e trembëdhjetë, dhe nuk bëjnë gjynah.
    5. Ditët e Teshrikut janë “ditët e caktuara”, në to Allahu urdhëroi të përmendet Ai. Allahu thotë: “Dhe madhëroni Allahun në (tri) ditët e caktuara (të Teshrikut).” (El-Bekare: 203)

    Ibën Abasi, Ata’ja, Muxhahidi dhe dijetarët e tjerë thanë: “Ditët e caktuara’ që përmenden në ajet janë ditët e Teshrikut dhe u quajtën të caktuara,[2] shkaku se janë pak në numër.”

    1. Dita më e mirë nga ditët e Teshrikut është dita e parë e saj. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dita më e madhe tek Allahu është Dita e Kurban Bajramit, e më pas dita pas saj (‘jeumu el karr’).”[3]

    Dita e parë e Teshrikut vjen pas ditës së Kurban Bajramit dhe është quajtur si “jeumu el karr”, shkaku se haxhilerët në këtë ditë qëndrojnë në Mina pasi njëherit e kanë kryer tavafin e ifadesë dhe e kanë therur kurbanin dhe më pas ndalen të qëndrojnë dhe pushojnë në Mina. Nuk i lejohet haxhiut në këtë ditë të ikën dhe të mos qëndrojë nga Mina.

    1. Ditët e Teshrikut janë ditë feste. Ato janë ditë ngrënieje, pijeje dhe përmendjeje e Allahut, dhe shfaqjeje gëzimi dhe mbajtjeje të lidhjeve farefisnore. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënieje, pirjeje dhe përmendjeje të Allahut.”[4]

    Në një hadith tjetër: “Dita e Arafatit, Dita e Kurban Bajramit dhe ditët e Teshrikut, për ne myslimanët janë ditë ngrënieje dhe pirjeje.”[5] Grave u lejohet t’i bien defit në këto ditë.

    1. Ditët e Teshrikut janë ditë feste dhe nuk lejohet të agjërohen. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ndaloi që këto ditë të agjërohen.[6]
    2. Shumica e dijetarëve nuk e lejojnë agjërimin e këtyre ditëve, qoftë agjërim vullnetar apo kompensim të ditëve të humbura apo shkaku i zotimit, dhe ai që i agjëron ditët e Teshrikut agjërimi i tij është i pavlefshëm, shkaku i ndalesës që erdhi në hadith.
    3. Agjërimi i ditëve të Teshrikut nuk u lejua në asnjë mënyrë, përveçse për haxhiun që haxhin e ka Temetu apo Kiran (dy lloje të haxhit) dhe nuk ka mundësi të therë kurban, ashtu siç thanë Aisha dhe Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.[7]
    4. Në këto ditë pëlqehet të shpeshtohet përmendja e Allahut, dhe llojet e përmendjes së Allahut janë të ndryshme dhe ndër to bën pjesë tekbiri i përcaktuar i cili bëhet pas çdo namazi farz. Tekbiri i përcaktuar fillon nga sabahu i ditës së Arafatit, për atë që nuk është në haxh, kurse për atë që është në haxh fillon nga namazi i drekës së Kurban Bajramit, dhe përfundon me kryerjen e namazit të ikindisë të ditës së tretë të Teshrikut (apo ditës së katër të Kurban Bajramit).

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Sahabët janë unikë dhe të një mendimi për kohën e fillimit dhe të mbarimit të tekbirit të përcaktuar dhe mendimin e tyre e përcjell nga Omeri, Aliu, Ibën Mesudi dhe Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.[8]

    Ikrime, Allahu e mëshiroftë, në komentin e  fjalës së Allahut: “Dhe madhëroni Allahun në (tri) ditët e caktuara (të Teshrikut).” (El-Bekare: 203), thotë: “Tekbiri në ditët e Teshrikut është pas namazeve farze.”[9]

    1. Nga përmendja e Allahut që pëlqehet të bëhet gjatë këtyre ditëve është edhe tekbiri i papërcaktuar. Në esencë tekbiri i papërcaktuar pëlqehet të bëhet gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes dhe gjatë tri ditëve të Teshrikut dhe përfundon me përfundimin e ditëve të Teshrikut. Bëhet në çdo kohë, gjendje dhe vende, natën dhe ditën, në rrugë, në treg, në xhami, në shtëpi, në vende pune, dhe në çdo vend ku lejohet përmendja Allahut, qoftë në këmbë, ulur apo shtrirë, i hipur në mjet transporti apo duke ecur në këmbë, dhe myslimani pëlqehet ta bëjë haptazi dhe ta ngritë zërin gjatë shqiptimit të tij.

    Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tekbir bënte në tendën e tij në Mina, dhe tekbirin e tij e dëgjonin të pranishmit në xhami dhe bënin tekbir edhe ata, dhe bënin tekbir edhe tregtarët derisa dridhej Mina nga tekbiret.

    Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tekbir bënte në Mina gjatë ditëve të Teshrikut, dhe bënte pas namazeve farze dhe në shtratin e tij dhe në tendën e madhe ku qëndronte në Mina dhe në vendet ku rrinte ulur dhe kur ecte dhe gjatë gjithë atyre ditëve në përgjithësi.

    1. Baza në përcaktimin e kohës së tekbirit të përcaktuar dhe të papërcaktuar janë gjurmët e ndryshme që transmetohen nga shokët e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe nga të parët tanë të mirë.

    Forma më e njohur e tekbirit që është transmetuar nëpër gjurma është: “Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahi elhamd.” Njashtu përcillet edhe forma: “Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahi elhamd.” Në këtë çështje hapësira e veprimit është e gjerë.

    1. Myslimani ia rikujton vetes gjatë tekbirit se Allahu është më i Madh se çdo gjë. Ai nuk i jep përparësi asgjëje dhe askujt para urdhrit të Allahut dhe Profetit të Tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, as në shtëpi dhe as në treg dhe as në vepra dhe as në mosmarrëveshje.

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Tekbiri është ligjëruar të shqiptohet në vende të mëdha, që të qartësohet se Allahu është më i Madhi, dhe në zemra të mbizotërojë madhështia e Tij krahas madhështisë së atyre vendeve të mëdha. Kështu që feja të jetë e tëra për Allahun dhe robërit e Tij ta madhërojnë vetëm Allahun, dhe nëpërmjet saj ata t’i arrijnë dy synime: atë të adhurimit, duke e madhëruar Allahun zemrat e tyre, dhe atë të kërkimit të ndihmës nga Allahu, duke i nënshtruar të gjitha kërkesat e tjera në madhështimin e Allahut.”[10]

    1. Nga përmendja e Allahut që pëlqehet të veprohet dhe të shpeshtohet në ditët e Teshrikut është përmendja e Allahut në përgjithësi, ashtu siç Allahu thotë: “Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër!” (El-Bekare: 200); që nënkupton të përmendet Allahu me tekbir (Allahu ekber), tahmid (elhamdulilah), dhe me lavdërimin e Tij.
    2. Disa nga të parët tanë të mirë për atë i cili është në haxh e pëlqenin që në ditët e Teshrikut më shpesh të lutet me lutjen: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit). (El-Bekare: 201).[11]
    3. Kjo lutje është më gjithëpërfshirëse nga të gjitha lutjet e tjera në kërkimin e mirësive të dynjasë dhe ahiretit dhe vetë Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, lutej shpesh me të, ashtu siç transmeton Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: “Lutja që më shpesh Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, lutej me të ishte: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. Dhe Enesi kur dëshironte të bënte dua, lutej me këtë lutje në të.[12]
    4. Nga përmendja e Allahut që pëlqehet të veprohet në ditët e Teshrikut është përmendja e Allahut gjatë therjes së kurbanit duke thënë bismilah dhe Allahu ekber.

    Koha e therjes së kurbanit fillon pas faljes së namazit të Bajramit dhe zgjat deri në perëndimin e diellit të ditës së tretë të Teshrikut (ditës së katërt të Kurban Bajramit).

    Pra, ditët e therjes janë katër: Dita e Kurban Bajramit dhe tri ditët që vijnë pas saj.

    1. Nga përmendja e Allahut që pëlqehet të veprohet në këto ditë, të cilat janë ditë ngrënieje dhe pirjeje, është përmendja e Allahut gjatë ngrënies dhe pirjes. Të fillohet ngrënia e ushqimit duke thënë bismilah (me emrin e Allahut) dhe të përfundohet duke thënë elhamdulilah (falënderimi i takon Allahut). Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu nga robi i Tij dëshiron që kur ta hajë ushqimin ta falënderojë Allahun, apo kur ta pijë pijen ta falënderojë Allahun.”[13]
    2. Nga format e transmetuara të falënderimit që përdoren pas ngrënies dhe pirjes janë këto:

    “Elhamdulil-lahi hamden kethiren tajjiben mubareken fihi, gajra mekfijjin ue la mueddain ue la mustegnijen anhu Rab-bena.”

    “Falënderimi i takon Allahut, falënderime të shumta, të mira dhe të bekuara pa kufij. Ne nuk mund ta kompensojmë mirësinë Tënde, nevoja jonë për ushqim nuk do të ndërpritet, sepse kemi nevojë për të në vazhdimësi dhe as nuk mund të bëjmë dot pa të, o Zoti ynë.”[14]

    “Elhamdulilahi el-ledhi et’ameni hadha ue rezekanihi min gajri haulin minni ue la kuvetin’’

    “Falënderimi i takon Allahut, i Cili ma mundësoi ta ha këtë ushqim dhe më furnizoi pa ndonjë lëvizje dhe pa ndonjë fuqi timen.”[15]

    “Elhamdulil-lahi el-ledhi et’ame ue seka ue seuegahu ue xheale lehu mahrexhen.”

    “Falënderimi i takon Allahut, i Cili ka dhënë për të ngrënë dhe për të pirë, e ka bërë të mundur hyrjen e ushqimit dhe pirjes dhe gëlltitjen e tij lehtësisht, dhe ka bërë organe për jashtëqitjen e tyre.”[16]

    1. Nga përmendja e Allahut që pëlqehet të veprohet në këto ditë, dhe është i veçantë për ata që janë në haxh, është përmendja e Allahut me tekbir (duke thënë Allahu ekber) gjatë gjuajtjes së guralecëve në Xhemarat në ditët e Teshrikut.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Tavafi rreth Qabesë, sa’ji mes Safasë dhe Mervas dhe gjuajta e guralecëve në Xhemarat, janë ligjëruar për ta përmendur Allahun.”[17]

    1. Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënieje dhe pirjeje dhe përmendjeje të Allahut, kështu që te myslimanët bashkohen në këto ditë: “begatia e trupave të tyre me ngrënie dhe pirje, dhe begatia e zemrave të tyre me përmendje dhe falënderim të Allahut, dhe me të përsosen begatitë, dhe sa herë që e shtojnë falënderimin për ndonjë begati, bëhet falënderimi i tyre begati tjetër që çon deri në falënderim tjetër, i cili nuk ndalet dhe nuk përfundon asnjëherë.”[18]
    2. Nga përsosja e falënderimit të begatisë është që nëpërmjet saj të shtohen adhurimet dhe të mos përdoret në të bërit mëkat Allahut, ashtu siç erdhi në hadith: “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënieje, pirjeje dhe përmendjeje të Allahut.”[19]

    Hadithi na e bën të qartë se “me ngrënie dhe pirje në ditët e Bajramit myslimani ndihmohet për ta përmendur dhe adhuruar Allahun, dhe kjo është nga përsosja e falënderimit të begatisë, që ajo të përdoret për adhurime. Allahu urdhëroi në Kuran me ngrënie të ushqimit hallall dhe urdhëroi të falënderohet Allahu: “O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë dhe, nëse jeni adhurues të Allahut, falënderojeni Atë!” (El-Bekare: 172)

    Prandaj kush i përdor begatitë e Allahut për t’i mëkatuar Atij, vetëm se i mohoi ato dhe i ndërroi me mohim dhe ai është më meritori për t’ua marrë ato.”[20]

     

    E lus Allahun të na japë suksese në shfrytëzimin e sezonave të mirësive dhe të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin e mirë të Tij.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed Salih El-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Marrë nga libri Sezonet e adhurimit)

     

    [1] Shih: Nihajeh fi garib el hadith, Ibën el Ethir (2/464), el Mexhmua, Imam Neveviu (6/442), Lisan el Arab (10/176), el Misbah el Munir (1/310).

    [2] Shih: Tefsir Taberij (3/549).

    [3] Ebu Davud (1765), shejh Albani hadithin e vlerësoi të saktë.

    [4] Muslimi (1141).

    [5] Ebu Davud (2419), Tirmidhiu (773), shejh Albani hadithin e vlerësoi të saktë.

    [6] Imam Ahmedi (16081), shejh Albani e saktësoi në Sahih el Xhami (7355).

    [7] Buhariu (1998).

    [8] Shih: Fet’hul Barij, Ibën Rexheb (6/124).

    [9] Tefsir Ibën Kethir, (1/560).

    [10] Mexhmua el Fetava (24/229), shkurtimisht.

    [11] Shih: Letaif el Mearif, (fq. 290.), Ed-Dur’ru el Menthur, (1/560).

    [12] Buhariu (6389), Muslimi (2690).

    [13] Muslimi (2734).

    [14] Buhariu (5458).

    [15] Tirmidhiu (3458), Ibën Maxheh (3285), shejh Albani hadithin e vlerësoi si të mirë.

    [16] Ebu Davud (3851), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [17] Ebu Davud (1888), përcillet si merfu dhe meukuf, shejh Albani e vlerësoi si të dobët.

    [18] Letaif el Mearif, (fq. 291).

    [19] Muslimi (1141).

    [20] Letaif el Mearif, (fq. 290.), me shtojcë.

  • BAJRAMI – RREGULLA DHE DISPOZITA

    BAJRAMI – RREGULLA DHE DISPOZITA

    1. Bajrami është rit islam, në të paraqiten pamjet e nënshtrimit dhe përuljes ndaj Allahut si dhe shumë nga kuptimet shoqërore dhe shpirtërore.
    2. Në arabisht Bajrami quhet ‘Id, që do të thotë se kthehet dhe përsëritet, dhe për çdo vit kthehet i ripërsëritur me gëzim. Po ashtu thuhet se është emërtuar me këtë emër me shpresë që ajo (festa) t’i përsëritet atij që e përjetoi. Është emërtim i tubimit vjetor që përsëritet në formë të zakonshme.
    3. Festat janë rite që gjenden te çdo popull dhe festimi i tyre ndërlidhet me instinktin dhe natyrshmërinë e ngulitur në shpirtin e njeriut. Njerëzit në festa tubohen dhe e paraqesin gëzimin dhe lumturinë.
    4. Festat tona janë përmendje të Allahut dhe gëzim me begatinë e Allahut: “Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Junus: 58.), ndërsa festat e të tjerëve janë idhujtari, femohim dhe mëkatim.
    5. Festat tona janë statike, të caktuara me argument nga Allahu, prandaj myslimanët në dynja nuk festojnë përveç tri festave:

    – Festa që përsëritet për çdo javë, kjo është dita e xhumasë.

    – Dy festa që vijnë për çdo vit nga një herë, ato janë Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami.

    Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se kur erdhi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Medine, i gjeti banorët e saj duke i festuar dy festa, në të cilat argëtoheshin dhe dëfreheshin, dhe ju tha: “Çfarë festa janë këto?!” – I thanë: “ Në periudhën para Islamit i festonim këto dy festa dhe argëtoheshim në to!” – I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Allahu jua zëvendësoi këto dy festa me dy të tjera më të mira se këto, Kurban Bajramin dhe Fitër Bajramin.”[1]

    1. Festat e myslimanëve janë nga ritet e Allahut që duhet të ngjallen, të kuptohet synimi i tyre dhe të ndihet kuptimi i tyre. Fjala e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Çdo popull i ka festat e veta dhe kjo është festa jonë”[2], aludon në atë se myslimanët i kanë dy festa, jo më shumë, dhe atyre nuk u lejohet t’u përngjasojnë jobesimtarëve dhe idhujtarëve në diçka që është e veçantë për festat e tyre.
    2. Festat e myslimanëve janë që të afrojnë tek Allahu. Në to madhërohet Allahu, paraqitet gëzimi dhe lumturia për begatinë e dhënë dhe si festa janë të lidhura ngushtë me adhurime të mëdha.
    3. Fitër Bajrami vjen me përfundimin e muajit të agjërimit dhe të teravive, a Kurban Bajrami bie në mes të riteve të mëdha të haxhit dhe para tij është dita e Arafatit, dita më e mirë nga të gjitha ditët e vitit. Të dyja festat janë të lidhura me një shtyllë prej shtyllave të Islamit, që nënkupton se festat tona vijnë pas përfundimit të adhurimit të Allahut, Zotit të botëve.
    4. Një nga veprat e mëdha të ditës së Fitër Bajramit është nxjerrja e zekatit të fitrit para se të falet namazi i Bajramit. Zekati i fitrit është pastrim për agjëruesin dhe ushqim për të varfrin.[3]
    5. Ndalohet agjërimi në ditën e Bajramit, duke u bazuar në hadithin që e përcjell Ebu Seid el-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, ndaloi të agjërohet këto dy ditë, dita e Fitër Bajramit dhe dita e Kurban Bajramit.[4]
    6. Një ndër sunetet e mëdha të ditës së Bajramit është tekbiri. Allahu tha: “Ai dëshiron që ta plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare: 185)
    7. Ligjërohet tekbiri i papërcaktuar[5] në Fitër Bajram, prej perëndimit të diellit të natës së Bajramit e deri kur imami del për ta falur namazin.[6]
    8. Tekbiri në Kurban Bajram është i papërcaktuar dhe i përcaktuar:

    Tekbiri papërcaktuar shqiptohet në çdo kohë, çdo  gjendje dhe çdo vend, dhe përfundon ditën e katërt të Bajramit me perëndimin e diellit.

    Tekbiri përcaktuar shqiptohet pas namazeve farz. Fillon prej namazit të sabahut në ditën e Arafatit e deri në ditën e katërt të Bajramit pas farzit të namazit të ikindisë.

    1. Prej formave të tekbirit që përcillen prej të parëve tanë: “Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahi elhamd.” Është përcjellë edhe me tri tekbire d.m.th. tri herë të shqiptohet Allahu ekber.

    Prej formave të tjera që përcillen është edhe: “Allahu ekber kebiren, Allahu ekber kebiren, Allahu ekber ue exhel’l, Allahu ekber ue lilahi el hamd”

    Dhe disa në fund e shtuan edhe shtojcën: “Allahu ekberu ala ma hadana

    1. Prej sunetit është që tekbiri të shqiptohet me zë të lartë, ngase nëpërmjet tyre paraqiten ritet e Islamit dhe rikujtohet tjetri. Pëlqehet që njerëzit të bëjnë tekbir në ditën e Bajramit, në xhami dhe në shtëpitë e tyre dhe nëpër rrugë, qofshin udhëtarë apo vendasë.[7] Përcjell el-Farjabij me zinxhir të vërtetë prej Ebu Abdurrahman es-Sulemij se ka thënë: “Gjatë Fitër Bajramit ishin më të zëshëm me tekbir sesa gjatë Kurban Bajramit.”
    2. Unanimisht nuk ligjërohet tekbiri kolektiv, ku një grup njerëzish e fillojnë së bashku dhe e mbarojnë së bashku me një zë të vetëm nga fillimi e deri në fund, apo ndahen në dy grupe dhe njëri grup bën tekbir e tjetri i përgjigjet dhe i përsërit fjalët e grupit të parë. Kjo formë është e re në fe dhe bie në kundërshtim me udhëzimin e të parëve tanë të mirë.

    Mënyra e drejtë është që tekbiri të bëhet individualisht dhe nëse ndodh që zërat të përputhen në mes vete, kjo nuk është problem nëse bëhet pa qëllim.

    1. Prej udhëzimit të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në ditën e Bajramit ishte rregullimi, zbukurimi dhe parfumosja dhe veshja e rrobave të reja, prandaj edhe pëlqehet për burrat t’i veshin rrobat më të bukura që i kanë në posedim.
    2. Gruaja duhet të përkujdeset që të dalë e mbuluar sipas rregullave fetare dhe të mos veshë rroba të zbukuruara gjatë daljes së saj për te faltorja e Bajramit, bazuar në fjalët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Gratë le të dalin (për në xhami), mirëpo jo të zbukuruara.”[8] D.m.th. le të dalin me rrobat e tyre të zakonshme dhe jo rroba të lakuriqësisë dhe të mos dalin në rrugë të parfumosura, kurse burri nuk duhet të harrojë se ai është përgjegjës për familjen e tij dhe se ai do ta japë llogarinë para Allahut për kopenë e tij.
    3. Nga rregullat dhe etika e Bajramit është që myslimani t’ia urojë festën myslimanit me urim të bukur që përmban fjalë të bukura dhe të lejuara, çfarëdo qofshin ato. Kjo është nga virtytet e larta të moralit dhe nga shfaqja e mirësive shoqërore në mes të myslimanëve, si p.sh. urimi i njëri-tjetrit me fjalën: “Allahu na i pranoftë neve dhe juve (adhurimet dhe veprat e mira)”, apo “Urime Bajramin”, dhe të ngjashme me to nga fjalët e lejuara për urim.

    Shokët e Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur takoheshin ditën e Bajramit ia uronin njëri-tjetrit duke thënë: “Allahu na i pranoftë neve dhe juve (adhurimet dhe veprat e mira).”[9]

    1. Namazi i Bajramit është nga ritet e mëdha të fesë. Për burrat të falet namazi është detyrim, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, sepse Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, urdhëroi që të falet, dhe pas vdekjes së tij katër halifët e vazhduan të njëjtën traditë.
    2. Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit. Preferohet që në Fitër Bajram namazi të vonohet disa minuta,[10] kurse të përshpejtohet në Kurban Bajram[11], duke e ndjekur traditën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.
    3. Pëlqehet që trupi të pastrohet për namaz të Bajramit, siç përcillet nga Seid ibën el-Musejib, Allahu e mëshiroftë, i cili tha: “Veprat që pëlqehen në ditën e Bajramit janë tri: të ecurit në këmbë deri në faltoren e Bajramit, ngrënia para daljes nga shtëpia për në faltore dhe pastrimi i trupit.”

    Më mirë është që koha e pastrimit të jetë pas namazit të sabahut, po edhe nëse pastrohet para sabahut, bën dhe nuk është problem.

    1. Prej suneteve të braktisura është ngrënia para daljes për në namaz të Fitër Bajramit. Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Fitër Bajram nuk dilte nga shtëpia derisa nuk hante hurma dhe numri i tyre ishte tek.[12]
    2. Ndërsa në Kurban Bajram prej suneti është që të mos hajë derisa të kthehet nga namazi, ta therë kurbanin dhe të hajë nga mishi i kurbanit të tij.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, për Kurban Bajram nuk hante derisa e falte namazin e Bajramit.[13]

    Nëse myslimani nuk ka kurban për të therur “për të nuk ligjërohet të abstenojë nga ushqimi para namazi, dhe ai mundet të zgjedhë, nëse ha para se të dalë për në namaz nuk i themi se e ke kundërshtuar sunetin me veprimin tënd.”[14]

    1. Pëlqehet që myslimani të shkojë sa më herët në faltoren e Bajramit [15] dhe të jetë sa më afër imamit në rreshtin e parë, kjo është më nxitëse për në vepra të mira dhe kjo ishte edhe tradita e shokëve të Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të. Përcillet që Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, dilte nga shtëpia për në faltore pas lindjes së diellit dhe kur arrinte te faltorja njerëzit vetëm se kishin ardhur më herët.
    2. Pëlqehet që myslimani të bëjë tekbir me zë të lartë duke shkuar rrugës për në faltoren e Bajramit. Përcillet se Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Fitër Bajram bënte tekbir[16] që nga momenti kur dilte nga shtëpia derisa arrinte te faltorja dhe derisa fillonte me namazin e Bajramit.[17]

    Përcillet me një transmetim të saktë se Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, ditën e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit, bënte tekbir me zë të lartë që kur dilte nga shtëpia e tij, e derisa mbërrinte në faltore. Pas kësaj bënte tekbir derisa vinte imami dhe me ardhjen e imamit ndalej, e nëse imami bënte tekbir edhe ai bënte tekbir.

    1. Pëlqehet që myslimani për në faltoren e Bajramit të shkojë në këmbë dhe të ecën i qetë. Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell se Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, shkonte për në faltore në këmbë dhe kthehej në këmbë.”[18]
    2. Pëlqehet që të shkohet për në faltoren e Bajramit nga njëra rrugë dhe kthimi pas faljes së namazit të jetë nga rruga tjetër, kështu veproi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të. Urtësia qëndron në atë se rrugët do të dëshmojnë për atë që eci nëpër to dhe do të dëshmojnë banorët e saj nga njerëzit dhe xhinët, nëpër to do të paraqiten ritet e Islamit, do të shpresohet në ndryshimin e gjendjes drejt faljes dhe të kënaqurit e Allahut, dhe do t’i përshëndesë vëllezërit e tij myslimanë si dhe të afërmit.
    3. Nga sunetet e Bajramit është falja e namazit jashtë ndërtesave, nuk falet nëpër xhami përveç në raste nevoje apo domosdoshmërie, sepse Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në vazhdimësi e falte atë në shkretëtirë dhe nuk e falte në xhaminë e tij, e që është xhamia më e mirë pas xhamisë së shenjtë në Meke.

    Dijetarët e veçojnë faljen e namazit të Bajramit në xhami vetëm për banorët e Mekës, sepse ata namazin e Bajramit e falin në xhaminë e shenjtë në Meke (el-Mesxhid el-Haram).

    1. Namazi i Bajramit falet nëpër qytete dhe fshatra dhe nuk ligjërohet të falet në shkretëtirë dhe në udhëtim, kështu ka ardhur në sunetin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe nuk ka ardhur argument se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe sahabët, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, e kanë falur namazin e Bajramit në udhëtim e as në shkretëtirë.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur e bëri haxhin e lamtumirës, atë vit dita e Arafatit ra në ditën e xhuma dhe namazin e xhumasë nuk e fali në Arafat dhe të nesërmen nuk e fali as namazin e Bajramit në Mina. Vitin kur u nis për ta çliruar Mekën, udhëtoi për në Meke dhe aty qëndroi deri në fillim të muajit Sheval dhe aty e zuri Bajrami dhe nuk transmetohet se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e fali namazin e Bajramit në të.[19]

    1. Për në faltore përveç burrave dalin edhe fëmijët, gratë dhe ato që janë me menstruacione, që të prezantojnë në mirësinë dhe lutjet e myslimanëve. Ummu Atijeh, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, tha: “Jemi urdhëruar që në të dy bajramet, Fitër dhe Kurban Bajrami, me ne grave të dalin edhe vajzat e reja dhe gratë me menstruacione, dhe të prezantojnë në mirësinë dhe lutjet e myslimanëve, kurse gratë me menstruacione janë urdhëruar që mos t’u afrohen faltoreve (por të qëndrojnë pak anash vendfaljes së xhematit.’’[20]
    2. Namazi i Bajramit falet dy rekate dhe imami në to lexon me zë. Në rekatin e parë e merr tekbirin fillestar, e pas saj i merr edhe shtatë tekbire të tjera dhe më pas e lexon suren el-Fatiha dhe një sure tjetër apo disa vargje nga Kurani.

    Në rekatin e dytë ngritet duke marrë tekbir dhe pasi drejtohet në këmbë i merr edhe pesë tekbire të tjera, e më pas e lexon suren el-Fatiha dhe një sure apo disa vargje nga Kurani.[21]

    Gjatë çdo tekbiri pëlqehet të ngriten duart si në tekbirin fillestar.

    1. Përcillet se Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në mes të tekbireve të namazit të Bajramit e falënderonte dhe e lavdëronte Allahun dhe dërgonte salavate mbi Pejgamberin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të.[22]
    2. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, përcillet se në dy bajramet në namaz e lexonte suren El’A’la në rekatin e parë dhe suren El-Gashije në rekatin e dytë.[23]

    Po ashtu përcillet se në rekatin e parë e lexoi suren KÂF dhe në rekatin e dytë El-Kamer.[24]

    1. Nëse vjen me vonesë ndokush nga xhemati dhe i lidhet imamit kur imami është duke i shqiptuar tekbiret shtesë, i shqipton edhe ai tekbiret me imamin dhe e pason atë në namaz dhe nuk detyrohet t’i kompensojë tekbiret e humbura, a nëse i ik rekati e kompenson sipas mënyrës që falet.
    2. Namazi i Bajramit nuk ka ezan e as ikamet. Xhabir ibën Semureh, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se jam falur me Pejgamberin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Fitër dhe Kurban Bajram, edhe atë jo vetëm një apo dy herë, dhe çdo herë e ka falur pa ezan dhe pa ikamet.[25]
    3. Imami njëherë fillon me namaz e pastaj e mban hutben. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, hutben e hapte duke e falënderuar Allahun dhe nuk përcillet se hutben e hapte me tekbir, qoftë për Fitër apo Kurban Bajram.
    4. Hutbeja e Bajramit është sunet dhe prezenca apo dëgjimi i saj nuk është i patjetërsueshëm, sepse Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, pasi e fali Bajramin tha: “Kush do që të shkojë le të shkojë dhe kush do që të qëndrojë dhe ta dëgjojë hutben le të qëndrojë.”[26].
    5. Kujt i ik namazi i Bajramit, mendimi më i saktë është se pëlqehet ta kompensojë namazin dhe ta falë në formën e vet, pra dy rekate, dhe pa hutbe pas saj.
    6. Kush del për ta falur namazin e Bajramit dhe i ik namazi dhe e gjen imamin duke e mbajtur hutben, le të ulet ta dëgjojë imamin, e pastaj le ta falë namazin, kështu të bashkojë në mes dy dobive.
    7. Para dhe pas namazit të Bajramit nuk ka namaz nafile (vullnetar), ngase Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, ditën e Bajramit e fali namazin e Bajramit dy rekate dhe nuk fali para apo pas namazit ndonjë namaz tjetër.[27]

    A nëse e fal namazin e Bajramit në xhami, atëherë i fal dy rekate për xhaminë kur të hyjë në xhami.

    1. Nëse bie Bajrami ditën e xhumasë, atij që e ka falur Bajramin i lehtësohet që të mos e falë xhumanë, bazuar në fjalën e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Sot në këtë ditë ju janë bashkuar dy festa, prandaj kush dëshiron të mos e falë namazin e xhumasë, i mjafton namazi i Bajramit. Po gjithsesi ne do të falim edhe xhumanë.”[28]

    Nëse nuk e fal xhumanë duhet ta falë namazin e drekës në kohën e vet në shtëpi, vetë apo me xhemat, e nëse shkon për ta falur namazin e xhumasë kjo është më e mirë.

    Nuk ligjërohet që namazi i drekës të falet nëpër xhami, madje nuk lejohet që në këtë ditë të hapen xhamitë e as të thirret ezani për namazin e drekës[29][30]

    1. Thënia se për atë që e fal Bajramin bie namazi i xhumasë dhe namazi i drekës është gabim, që e kundërshton sunetin dhe mendim jo i drejtë dhe dijetarët e mohojnë atë.[31]
    2. Ai që nuk e fal namazin e Bajramit, për të nuk bie detyrshmëria e faljes së namazit të xhumasë. Ai duhet të shkojë në xhami për ta falur xhumanë, e nëse brenda në xhami numri i xhematit nuk e arrin numrin e mjaftueshëm që e detyron namazin e xhumasë, atëherë e fal namazin e drekës.[32]
    3. Për imamin e xhamisë nuk bie detyrshmëria e namazit të xhumasë, ai detyrohet ta falë atë, nëse në xhami vijnë numër i mjaftueshëm për xhuma, që nuk e kanë falur namazin e Bajramit apo e kanë falur Bajramin mirëpo duan ta falin edhe xhumanë.[33]
    4. Nga etika dhe rregullat e Bajramit është respektimi i lidhjeve farefisnore me vizita, me dhurata, interesimi për ta me telefonata dhe afrimi i zemrave të njëri-tjetrit.
    5. Dita e Bajramit është ditë e nënshtrimeve dhe e afrimit tek Allahu me vepra të mira dhe ditë falënderimi të Allahut për plotësimin e begatisë, nuk është ditë e mëkateve dhe veprimit të ndalesave. Nuk i ka hije një myslimani që Bajramin ta shndërrojë në ditë të bërjes së gjynaheve dhe organizimit të koncerteve muzikore dhe pirjes së alkoolit.[34]
    6. Nata e Bajramit nuk lejohet të veçohet nga netët e tjera të vitit me namaz nate, përveç për atë që e ka traditë namazin e natës gjatë netëve të tjera të vitit, në këtë rast nuk ka problem nëse ngritet natën e Bajramit dhe fal namaz nate, kurse hadithet që kanë ardhur për vlerën e ngjalljes së natës të Bajramit me namaz nate nuk janë të sakta.
    7. Prej gabimeve që bëhen atë ditë është përzierja e grave me burra në faltoren e Bajramit apo edhe nëpër xhami, kjo është sprovë për të dy gjinitë, kështu që burrat dhe të rinjtë është më mirë të mos largohen nga faltorja apo xhamia vetëm pasi të dalin gratë prej aty.
    8. Duhet përkujdesur që në ditën e Bajramit të ulet shikimi dhe të ruhet dëgjimi dhe shpirti nga harami.

    Njëri nga shokët e Sufjan eth-Theuriut, Allahu e mëshiroftë, tha: “Dola me të ditën e Bajramit dhe më tha: ‘Gjëja e parë që do të fillojmë me të sot është ulja e shikimit’.”

    Kur u kthye në shtëpi Hasan ibën Ebi Sinan, Allahu e mëshiroftë, nga falja e namazit të Bajramit, gruaja e tij i tha: “Sa gra të bukura rrugës i shikove?!” U përgjigj: “Prej kur dola e deri kur u ktheva në shtëpi nuk shikova, përveçse në gishtin e madh të këmbës.”

    1. Pëlqehet shfaqja e gëzimit me rastin e Bajramit, ndërsa dëfrimi dhe të kënaqurit e vetes dhe familjes dhe fëmijëve është i nevojshëm dhe i kërkuar, nëse në të nuk ka diçka që bie ndesh me parimet fetare.

    Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “Ishte ditë Bajrami, ndërkohë që disa habeshinj (abisinas) po luanin me disa mburoja prej lëkure dhe me shtiza. Nuk më kujtohet se a e pyeta Pejgamberin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, apo ai më tha:
    “A do të shohësh?”

    “Po” – i thashë. Ai më ngriti lart pas tij, derisa faqja ime e prekte faqen e tij, kurse Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Vazhdoni , o Beni Erfide.”[35]

    1. Lejohet që për Bajram fëmijëve t’u jepet hapësirë dhe mundësi për dëfrim dhe lojëra të lejuara, madje kjo llogaritet adhurim dhe afrim tek Allahu, sepse fut gëzim në shpirtrat e tyre dhe me një hadith të Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, përcillet se ka thënë: “Qe ta dinë çifutët se në fenë tonë ka hapësirë për gëzim dhe se jam i dërguar me fe të pastër dhe tolerante.”[36]
    2. Bajrami është shkak dhe rast për gëzim. Në të duhet të shfaqen pamjet e gëzimit dhe diçka nga dëfrimi që e ka lejuar feja, si p.sh. gratë t’i bien defit.

    Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, hyri tek unë në shtëpi, ndërsa brenda dy vajza të reja në moshë (që nuk e kishin arritur moshën e pubertetit) po këndonin dhe i binin defit, ndërkohë Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, e kishte mbuluar fytyrën me petk, kurse Ebu Bekri kur i pa ashtu iu foli ashpër dhe Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, e shpalosi fytyrën dhe  i tha: ‘Lëri o Ebu Bekër! Këto ditë janë ditë feste’.”[37]

    Kjo aludon se lejohet që gratë t’i bien defit për Bajram dhe se lejohet këndimi me fjalë dhe poezi të lejuara fetarisht, mirëpo kjo assesi nuk aludon se lejohet përdorimi i muzikës dhe veglave dhe mjeteve muzikore për Bajram, ashtu si ceket nëpër argumente, përveç defit i cili u veçua në këtë rast.

    1. Po ashtu është vërtetuar se grave u lejohet t’i bien defit në ditët e Teshrikut (ditët e Teshrikut janë tri ditët vijuese pas ditës së parë të Kurban Bajramit, e të cilat janë: Dita e 11-të, e 12-të dhe e 13-të e muajit Dhulhixhe).

    Ngjarja që u cek në hadithin e mëparshëm të Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, ishte në ditët e qëndrimit në Mina. Në hadith përcillet se: “Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, hyri tek Aisha dhe brenda i pa dy vajza të reja në moshë (që nuk e kishin arritur moshën e pubertetit) po këndonin dhe i binin defit në ditët e qëndrimit në Mina.”[38]

    Ditët e qëndrimit në Mina janë ditët e Teshrikut

    .

    1. Në Bajram kanë filluar të përdoren disa lojëra të rrezikshme, që i dëmtojnë njerëzit nëpër rrugë apo shtëpitë e tyre, në to bëjnë pjesë raketat dhe fishekzjarret, dhe largimi i tyre është çështje e patjetërsueshme. Këto gjëra e harxhojnë pasurinë, e dëmtojnë trupin, u pengojnë dhe u bëjnë zhurmë njerëzve nëpër shtëpitë e tyre.

    E lus Allahun që t’i zbukurojë ditët tona me adhurime ndaj Tij, të na i mbushë shtëpitë dhe zemrat tona përplot gëzim dhe lumturi me begatitë e Tij, dhe t’i pranojë nga ne dhe nga myslimanët veprat e mira. Amin.

    Falënderimi i takon vetëm Allahut.

     

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Pjesë e librit Sezonet e adhurimit – i përkthyer në shqip)

     

    [1] Ebu Davud (1134), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [2] Buhariu (952), Muslimi (298).

    [3] Këtu për qëllim është Fitër Bajrami, kurse në Kurban Bajram nuk jepet ndonjë lloj zekati, po preferohet të theret kurban, dhe koha e therjes fillon pasi të falet namazi i Bajramit, kurse kafsha që theret para se të falet namazi i Bajramit është mish i thjeshtë dhe jo mish kurbani. (sh.p.)

    [4] Buhariu (1991), Muslimi (827).

    [5] Dijetarët tekbirin e ndajnë në të papërcaktuar dhe të përcaktuar. Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, thotë se dallimi mes dy llojeve të tekbirit është se tekbiri i papërcaktuar shqiptohet në çdo kohë, kurse ai i përcaktuar shqiptohet vetëm pas çdo namazi farz në Kurban Bajram. Koha e tekbirit të papërcaktuar në Kurban Bajram fillon me hyrjen e muajit Dhulhixhe e deri në ditën e katërt të Bajramit kur perëndon dielli, kurse në Fitër Bajram prej kur perëndon dielli ditën e fundit të muajit Ramazan dhe hyn nata e parë muajit Sheval, e deri kur të falet namazi i Bajramit. Kurse tekbiri i përcaktuar siç e cekin dijetarët fillon prej namazit farzit të sabahut ditën e Arafatit e deri në ditën e katërt të Bajramit pas farzit të namazit të ikindisë. (Mexhmua Fetava ue resail, shejh Uthejmini, vëllimi 16, Kapitulli i Bajramit.) (sh.p.)

    [6] Kjo vlen për Fitër Bajram, kurse në Kurban Bajram tekbiri i papërcaktuar fillon me hyrjen e muajit Dhulhixhe e deri në ditën e katërt të Bajramit kur perëndon dielli, dhe në Kurban Bajram preferohet që prej namazit të sabahut në ditën e Arafatit e deri në namazin e ikindisë të ditës së katërt të Bajramit pas çdo farzi të bëhet tekbir, jashtë tekbirit të papërcaktuar. (sh.p.)

    [7] Kurse për Kurban Bajram e cekëm edhe më herët se preferohet prej ditës së parë muajit Dhulhixhe e deri ditën e trembëdhjetë të muajit Dhulhixhe apo ditën e katërt të Kurban Bajramit. (sh.p.)

    [8] Ebu Davud (565), shejh Albani e saktësoi në Sahih el-Xhami (7457).

    [9] Ibën Haxheri e vlerësoi zinxhirin e tij si të mirë në Fet’hul Barij 92/446).

    [10] Derisa njerëzve t’u jepet kohë për ta nxjerrë zekatin e Fitrit. (sh.p.)

    [11] Kurse në Kurban Bajram preferohet që të përshpejtohet falja e namazit të Bajramit, pasi të hyjë koha e vet, që të ketë më shumë hapësirë për therjen e kurbaneve (sh.p.)

    [12] Shënon Buhariu (953.)

    [13] Tirmidhiu (542), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [14] Esh-Sherh el-Mumti (5/124).

    [15] Imami veçohet këtu, sepse ai vjen më vonë, kur të hyjë koha e namazit të Bajramit dhe menjëherë fillon me namaz. (sh.p.)

    [16] Pëlqehet e njëjta edhe në Kurban Bajram. (sh.p.)

    [17] Përcillet si merfu (zinxhiri përfundon tek Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të) dhe si meukuf (zinxhiri i hadithit përfundon tek ndonjë sahabij), shejh Albani e saktësoi edhe si merfu edhe si meukuf në el-Irva (650).

    [18] Ibën Maxheh (1294), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

    [19] Shih: Fetave Ibën Baz (9/13), dhe sherh el-Mumtia (5/130).

    [20] Buhariu (338), Muslimi (1475).

    [21] Ky është mendimi i imam Shafiut (El-Um 1/395), dhe Ibën Abdulber (El Kafij 1/264). Mendimi i dijetarëve të medh’hebit hanbelij dhe malikij është se merren shtatë tekbire në rekatin e parë përfshirë këtu edhe tekbirin fillestar, kurse në rekatin e dytë merren gjashtë duke përfshirë këtu edhe tekbirin gjatë ngritjes nga sexhdeja e rekatit të parë, pra, para leximit të sures. (El Mudev’vene 1/169, El Kafij 1/264, El Mugni 3/271.) Kurse hanefitë e kanë mendimin se njëherit merret tekbiri fillestar e pastaj lexohet lutja e hapjes së namazit (subhaneke…)  e pastaj merren tri tekbire dhe pastaj lexohet surja el-Fatiha dhe një sure apo disa vargje nga Kurani, kurse në rekatin e dytë imami së pari lexon Fatihanë dhe një sure apo disa vargje nga Kurani, pastaj i merr tri tekbire radhazi, dhe në tekbirin e katërt, përkulet në ruku, (Hashijetu ibën Abidin 2/172). (Marrë nga faqja https://saaid.net/mktarat/eid/79.htm) (sh.p.)

    [22] Et-Taberanij në el-Kebir (9/303), shejh Albani e saktësoi në el-Irva (642).

    [23] Muslimi (887).

    [24] Muslimi (891).

    [25] Muslimi (887).

    [26] En-Nesaij (1571), shejh Albani e vlerësoi si të saktë.

    [27] Buhariu (964), Muslimi (884).

    [28] Ebu Davud (1073), shejh Albani e saktësoi.

    [29] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/119 – koleksioni i dytë)

    [30] Pra nëse xhemati shkon në xhami, atëherë duhet ta falin namazin e xhumasë e jo të drekës. (sh.p.)

    [31] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/120)

    [32] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/119)

    [33] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/119)

    [34] Nuk ligjërohet vizita e varrezave në ditën e Bajramit, kjo ditë është ditë gëzimi. Ndalesa bën pjesë në ndalesën e përgjithshme të Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili ndaloi që varrezat të merren vend feste dhe këtu për qëllim është në kohë të caktuara dhe periudha të njohura nga kuptimi i marrjes së varrezave si vend feste. Kjo vlen për atë që varrezat i viziton vetëm se për Bajram dhe pasi e fal namazin e Bajramit shkon njëherë bën bajram me të vdekurit e pastaj shkon te të gjallët nga familja, në këtë rast ky njeri gabon sepse kjo ditë është ditë feste dhe ajo festohet me të gjallët, e jo me të vdekurit. (sh.p.)

    [35] Buhariu (950), Muslimi (892).

    [36] Imam Ahmedi (24855), shejh Albani e vlerësoi si të mirë në es-Sahiha (4/443)

    [37] Buhariu (3529), Muslimi (892).

    [38] Buhariu (987), Muslimi (892).

  • DITA E ARAFATIT

    DITA E ARAFATIT

    1. Dita e Arafatit është një nga dhjetë ditët e vlefshme të Dhulhixhes. Është dita më e mirë e dynjasë pas ditës së Kurban Bajramit, madje disa dijetarë e privilegjuan mbi ditën e Kurban Bajramit dhe disa të tjerë thanë se është dita e Haxhit të Madh, mirëpo më e saktë është se dita e Kurban Bajramit është më e mirë se dita e Arafatit dhe ajo është dita e Haxhit të Madh. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dita më e madhe tek Allahu është dita e Kurban Bajramit.”[1]
    2. Arafati është dita e nëntë dhe e parafundit nga dhjetë ditët e Dhulhixhes që janë ditët më të mira të dynjasë. Pra, koha e Arafatit është me vlerë, kurse jeta ikën, frymëmarrjet janë të numëruara, vitet të kufizuara, besimtari nxiton që t’i shfrytëzojë orët e saj dhe ngutet që ta arrijë kënaqësinë e Allahut në këtë ditë.
    3. Në ditën e Arafatit u përsos feja dhe u plotësua dhuntia e Allahut ndaj myslimanëve. Një çifut i tha Omer ibën Hatabit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “O ti udhëheqës i myslimanëve! Është një ajet në librin tuaj (Kuranin) që e lexoni, po të na kishte zbritur neve çifutëve, ne do ta merrnim ditën e zbritjes së tij për festë!” Omeri i tha: “Cili ajet?” Çifuti i tha: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El-Maide: 3). Omeri tha: “Ne e dimë kohën dhe vendin në të cilin i ka zbritur ky ajet Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të; ai ishte duke qëndruar në Arafat dhe ishte ditë e xhuma.”[2]
    4. Allahu e përsosi fenë e Tij në ditën e Arafatit, në haxhin e lamtumirës. Shumica e komentuesve të Kuranit thonë se Allahu e përsosi fenë e Tij duke e ngritur atë më lart se të gjitha fetë, kështu që në atë vit asnjë idhujtar nuk e kreu haxhin me ta, dhe e përsosi duke e përfshirë pjesën më të madhe të detyrimeve dhe ligjeve, hallallit dhe haramit. Pas këtij ajeti zbritën edhe një numër dispozitash, si ajeti i kamatës, ajeti i kelales[3], dhe ajete të tjera.[4]
    5. Dita e Arafatit tek Allahu është nga ditët më të mira, Allahu çështjen e saj e madhështoi, vlerën e saj e rriti karshi ditëve të tjera dhe në këtë ditë robërit e Tij i nderon dhe u jep mirësi. Në këtë ditë lutjet pranohen, gabimet falen, gjynahet shlyhen, duart e përulura ngriten kah Allahu me përulësi dhe shpresë, dhe Allahu mburret me ata që qëndrojnë në Arafat para melaqeve të Tij.
    6. Nga vlera e ditës së Arafatit është të betuarit e Allahut në këtë ditë dhe nuk betohet Allahu, përveçse në diçka e cila është madhështore. Allahu thotë: “Për dëshmitarin dhe për atë që dëshmohet.” (El-Buruxh: 3); Për atë që dëshmohet është dita e Arafatit, sepse njerëzit dëshmojnë për të, d.m.th. prezantojnë, tubohen dhe mblidhen në të. Komenti i ajetit erdhi në një hadith të Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili thotë: “Dita e premtimit është dita e Kiametit, dita që për atë dëshmohet është dita e Arafatit dhe dita e dëshmitarit është dita e xhuma.”[5]
    7. Qëndrimi i haxhilerëve në Arafat na e rikujton tubimin e njerëzve në ditën e Kiametit, ndërsa veshja e ihramit të bardhë na e rikujton vdekjen dhe qefinin. Allahu për ditën e Kiametit tha: “Pa dyshim, në këto (ngjarje) ka këshillë për atë që i druhet dënimit të Ditës së Gjykimit. Ajo është Dita në të cilën do të tubohen të gjithë njerëzit; ajo është Ditë e dëshmuar.” (Hud: 103)
    8. Nga vlera e ditës së Arafatit është se kjo ditë është teku (el-vetr), në të cilin u betua Allahu dhe tha: “Betohem për çiftin dhe tekun.” (El-Fexhr: 3). Ibën Abasi dhe Ikrimeh dhe Dahaku, Allahu i mëshiroftë, thanë: “Çifti është dita e Kurban Bajramit, sepse është dita e dhjetë, kurse teku është dita e Arafatit, sepse është dita e nëntë e muajit Dhulhixhe.”[6]
    9. Ebu Zubejr përcjell nga Xhabir ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nuk ka ditë më të mirë tek Allahu se dita e Arafatit. Allahu zbret në qiellin e dynjasë dhe mburret para banorëve të qiellit me banorët e tokës.”[7]

    Nga Ummu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, vërtetohet të ketë thënë: “Sa ditë e mirë është dita kur zbret Allahu në qiellin e dynjasë.” I thanë: “Oj nëna e besimtarëve! E cila ditë është kjo?” Ajo tha: “Dita e Arafatit.”[8]

    Dijetari Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu e përshkroi Veten e Tij se zbret në ditën e Arafatit në shumë hadithe të vërteta.”[9]

    1. Allahu në ditën e Arafatit e liron nga zjarri i Xhehenemit atë që dëshiron, nga haxhilerët të cilët qëndrojnë në Arafat apo nga myslimanët anekënd botës, të cilët nuk janë në haxh. Pjesëmarrja e përbashkët e tyre në lirimin nga zjarri dhe faljen e tyre në ditën e Arafatit bëjnë që dita, e cila vjen pas Arafatit të jetë festë për myslimanët në të gjithë anët e botës, pavarësisht prezantuan apo nuk prezantuan në haxh. Ndërsa mospjesëmarrja e të gjithë myslimanëve në haxh për çdo vit është mëshirë nga Allahu dhe lehtësim për robërit e Tij, prandaj edhe kryerjen e haxhit Allahu e bëri të detyruar një herë në jetë, e jo për çdo vit.[10]
    2. Në ditën e Arafatit myslimani duhet të ketë mendim të mirë për Allahun, se ata që qëndrojnë në Arafat do t’i nderojë me falje dhe mëshirë, dhe nuk duhet të dëshpërohet nga mëshira e Allahut.

    Abdullah ibën Mubarek, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Në ditën e Arafatit shkova te Sufjan eth-Theurij, dhe e pashë të gjunjëzuar duke qarë. I thashë: “Cili nga njerëzit e tubuar në Arafat i ka punët më keq?” U përgjigj: “Ai i cili mendon se Allahu nuk ua fal atyre (mëkatet, Xhenetin…).”[11]

    1. Lirimi i besimtarëve nga zjarri dhe falja e mëkateve janë vlerë e ditës së Arafatit dhe kjo vlerë nuk është e veçantë vetëm për haxhilerët që qëndrojnë në Arafat, po është e përgjithshme për të gjithë myslimanët të cilët vepruan me shkaqet e faljes dhe lirimit nga zjarri.
    2. Vlera e kësaj dite i përfshin të gjithë, ata të cilët janë në haxh dhe ata të cilët nuk janë në haxh, mirëpo haxhiu i cili qëndroi në Arafat e ka një privilegj më tepër, ai e bashkoi vlerën e vendit dhe vlerën e kohës.
    3. Myslimani në ditën e Arafatit pëlqehet t’i shtojë adhurimet dhe ato vepra të cilat e afrojnë tek Allahu dhe që nëpërmjet tyre shpresohet ta arrijë faljen dhe lirimin nga zjarri. Nga ato vepra është edhe të përmendurit e shpeshtë të Allahut, e në veçanti të shqiptuarit e fjalës la ilahe il-lallah, e cila është “baza dhe themeli i fesë islame, të cilën e përsosi Allahu në këtë ditë.”[12]
    4. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Duaja më e mirë është duaja që bëhet në ditën e Arafatit, dhe duaja më e mirë që e kam thënë unë dhe profetët para meje është: la ilahe il-lallahu, uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu ue huve ala kul-li shejin kadir.”[13]

    Në një transmetim tjetër: “Duaja që më tepër lutej Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në ditën e Arafatit ishte: la ilahe il-lallahu, uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu, bijedihi elhair, ue huve ala kul-li shejin kadir.”[14]

    1. Shpërblimi vjen sipas llojit të veprës, ai që e liron një skllav, Allahu do ta lirojë nga zjarri atë që e liroi skllavin. Të përmendurit e shpeshtë të Allahut me tehlil (la ilahe il-lallah) dhe realizimi i njësimit të Allahut (teuhidit) myslimanin e bëjnë të shpërblehet si të lirojë skllevër dhe lirimi i tyre për atë që i liroi nga skllavëria e bën të detyruar lirimin e tij nga zjarri.
    2. Dëshmia e fjalës la ilahe il-lallah është e barabartë me lirimin e skllevërve dhe lirimi i tyre nga skllavëria e bën të detyruar lirimin nga zjarri për atë që i liroi. Ka ardhur në hadith: “Kush thotë në ditë njëqind herë: la ilahe il-llahu uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu, ue huve ala kul-li shejin kadir, është e barabartë sikurse t’i lirojë dhjetë skllevër, i shkruhen njëqind të mira dhe i shlyhen njëqind të këqija…”[15]
    3. Shqiptimi i fjalës së teuhidit (la ilahe il-lallah) me çiltërsi dhe sinqeritet “i lan dhe i shlyen gjynahet derisa nuk mbetet gjynah, dhe s’ka vepër që ia tejkalon asaj në vlerë dhe ai që e thotë sinqerisht nga zemra Allahu ia ndalon atij zjarrin e Xhehenemit.”[16]
    4. Të parët tanë të mirë gjatë kësaj dite bënin përpjekje për në vepra të mira dhe bamirësi. Hakim ibën Hizam, Allahu e mëshiroftë, me vete në Arafat i mori njëqind deve për kurban dhe njëqind skllevër, të cilët i liroi nga skllavëria, dhe kur njerëzit e panë veprën e tij filluan të qajnë dhe të luten duke thënë: “O Zoti ynë! Ky robi Yt liroi nga robërit e tij, ndërsa ne jemi robërit e Tu, o Zot na liro nga zjarri i Xhehenemit.”[17]

    Ai që e liron një skllav mysliman, për çdo organ të liruar nga trupi i tij, Allahu do ta lirojë nga zjarri edhe çdo organ të atij që e liroi skllavin.

    1. Pëlqehet në ditën e Arafatit të shpeshtohet të përmendurit e Allahut, në çdo kohë dhe në të gjitha gjendjet, në këmbë, ulur apo i shtrirë, i hipur në mjet apo duke ecur.
    2. Njashtu pëlqehet të shpeshtohet tehlili (la ilahe il-lallah), tekbiri (Allahu ekber) dhe tahmidi (elhamdulilah). Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për dhjetë ditët e Dhulhixhes, ku në to bën pjesë edhe dita e Arafatit, thotë: “Shpeshtoni në to tehlilin, tekbirin dhe tahmidin.”[18]
    3. Nëse dita e Arafatit bie në ditën e xhuma, kjo është mirësi dhe festë e dyfishtë, shkaku i bashkimit të këtyre dy ditëve më të mira në një ditë, dhe shkaku se përputhet me ditën e qëndrimit të Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, në Arafat, dhe shkaku se bashkohen kohët e pranimit të lutjes, ajo e ditës së xhuma pas namazit të ikindisë me qëndrimin e haxhilerëve në Arafat për lutje dhe dua, dhe njashtu shkaku i vlerave të tjera.[19]
    4. Është bindje e kotë dhe e pabazë ajo që e besojnë disa njerëz se nëse dita e Arafatit bie në ditën e xhuma atëherë haxhi i atij viti është i barabartë me shtatë, shtatëdhjetë apo shtatëdhjetë e dy haxhe, apo edhe më shumë.
    5. Agjërimi i ditës së Arafatit për ata që nuk janë në haxh është traditë profetike dhe thesar i madh. Agjërimi i kësaj dite i shlyen mëkatet e dy viteve, të kaluarës dhe asaj që vjen: “Agjërimi i ditës së Arafatit, shpresoj dhe llogaris që Allahu t’i falë mëkatet e vitit që kaloi dhe atij që vjen.”; me një transmetim tjetër: “… i shlyen mëkatet e vitit që kaloi dhe vitit të ardhshëm”.[20]
    6. Më e mira dhe më e përsosura tek agjërimi vullnetar i përcaktuar, ku në të bën pjesë edhe agjërimi i ditës së Arafatit, është që nijeti për agjërim të bëhet natën me qëllim që shpërblimi të jetë i plotë dhe jo i mangët, dhe me ngritjen për syfyr llogaritet se është bërë nijeti.
    7. Është mirë të nxitet familja, fëmijët dhe ata që i kemi nën përgjegjësi që ta agjërojnë ditën e Arafatit dhe të ngriten për syfyr. Seid ibën Xhubejr, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Zgjoni shërbëtorët tuaj në syfyr për ta agjëruar ditën e Arafatit.”
    8. Nëse dita e Arafatit bie në ditën e xhuma apo të shtunë, nuk ka pengesë dhe nuk urrehet që njëra nga këto ditë të veçohet me agjërim. Myslimani në këtë rast e agjëron të xhumanë apo të shtunën si ditë që ligjërohet agjërimi i saj, e jo se është ditë e xhuma apo e shtunë.[21]
    9. Atij që i kanë mbetur ditë nga Ramazani pa i agjëruar, nuk ka pengesë që ta agjërojë ditën e Arafatit me nijet të agjërimit vullnetar, e pastaj t’i kompensojë ato ditë të Ramazanit. Lejohet, sipas mendimit më të saktë, agjërimi vullnetar para se të kompensohen ditët e paagjëruara të Ramazanit, sepse është agjërim i përcaktuar që ik me kalimin e ditës së vet, kurse te kompensimi i ditëve të humbura çështja është më e gjerë dhe ekziston më tepër hapësirë.
    10. Atij që i ka mbetur ndonjë ditë e Ramazanit pa agjëruar dhe ditën e Arafatit e agjëron me nijet kompensimi të ditës së humbur të Ramazanit, agjërimi i tij pranohet si kompensim dhe shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit të Arafatit, sipas mendimit të disa dijetarëve, e kështu me kompensimin e ditës së humbur të Ramazanit e merr edhe shpërblimin e agjërimit të ditës së Arafatit. Dijetari Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, është në mesin e atyre dijetarëve që e ka dhënë këtë fetva.
    11. Por ajo më e mira është që kompensimi i ditëve të humbura të Ramazanit të bëhet jashtë ditës së Arafatit, njëherit ta agjërojë ditën e Arafatit me nijet agjërimi vullnetar, e më pas t’i agjërojë ditët e humbura të Ramazanit dhe kështu të bashkojë në mes të dy mirësive, mirësisë së kompensimit dhe mirësisë së agjërimit të ditës së Arafatit.[22]
    12. Udhëtarit, përderisa nuk gjen vështirësi ta agjërojë ditën e Arafatit gjatë udhëtimit të tij, i lejohet të agjërojë.
    13. Atë që e pengon ndonjë arsye e shëndoshë ta agjërojë ditën e Arafatit, si i sëmuri, gruaja me menstruacione apo gjidhënësja, dhe nga tradita e tij apo saj ka qenë ta agjërojë ditën e Arafatit për çdo vit, ai apo ajo do të shpërblehet sipas nijetit, dhe nga pamundësia e agjërimit të kësaj dite le të përkujdeset të veprojë vepra të tjera bamirësie dhe nga ato që ia shlyejnë mëkatet.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me një hadith tha: “Kur robi sëmuret apo është udhëtar, i shkruhen shpërblimet atij, sikurse ka punuar si vendas dhe i shëndoshë.”[23]

    1. Përkujdesu që gjynahet e tua të perëndojnë (falen dhe shlyhen) me perëndimin e diellit të ditës së Arafatit.
    2. Tekbiri përcaktuar[24] fillon pas çdo namazi farz prej sabahut të ditës së Arafatit, për atë që nuk është në haxh, kurse për haxhiun prej namazit të drekës në ditën e Kurban Bajramit, dhe përfundon me përfundimin e namazit të ikindisë në ditën e tretë të Teshrikut d.m.th. ditën e katërt të Kurban Bajramit.
    3. Duaja në ditën e Arafatit shpresohet të pranohet, prandaj është mirë të shpeshtohen lutjet duke kërkuar nga mirësitë e dynjasë dhe ahiretit, duke i ngritur duart gjatë duasë, me përulje dhe shpresë, me lutje dhe me sy të përlotur: “Duaja më e mirë është duaja në ditën e Arafatit.”[25]
    4. E rëndësishme gjatë duasë është që zemra të jetë prezente dhe jo të jetë e shkujdesur, të ndihet afërsia e Allahut dhe bujaria e Tij. Kjo ndikon më së tepërmi që duaja t’i drejtohet Allahut me sinqeritet dhe me përulje.
    5. Për myslimanin më së miri është të lutet me ato dua që kanë ardhur në Kuran dhe Sunet, si: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit). (El-Bekare: 201)

    “Zoti im! Ma përmirëso fenë time, e cila është strehimi i çështjeve time, ma përmirëso këtë dynja në të cilën jetoj, ma përmirëso ahiretin në të cilin është kthimi im, dhe ma shto jetën në çdo mirësi dhe ma bëj vdekjen të rehatshme nga çdo e keqe.”

    Dhe dua të tjera nga Kurani dhe Suneti, të cilat janë gjithëpërfshirëse, e nëse nuk di nga ato dua atëherë mundet të bëjë dua me fjalë të veta që nuk bien në kundërshtim me fenë e Allahut.

    1. Në lutjet profetike kërkohej falja e gjynaheve, mëshira, lirimi nga zjarri i Xhehenemit, falja dhe shpëtimi, sinqeriteti, udhëzimi, devotshmëria, virtytshmëria, pasuria, mbuloja nga mëkatet, risku, mbrojtja, shëndeti, fitorja, siguria dhe ajo më e madhja nga gjitha këto, kërkimi i Firdeusit të lartë dhe kënaqësia e shikimit në Fytyrën e Allahut. Andaj këto lutje dhe të ngjashmet me to t’i bëjmë pjesë të duave tona në ditën e Arafatit.
    2. Ditën e Arafatit duhet përpjekje e gjerë në të përmendurit e Allahut, në lutje, lexim të Kuranit, dhikër të shumëllojshëm, lutje për veten, prindërit, gruan, fëmijët, familjarët, shokët, hoxhallarët dhe dijetarët, për ata që e meritojnë të lutemi për ta dhe për të gjithë myslimanët. Dy herë kujdes të mos pakësosh në këto vepra, sepse kjo ditë më nuk kthehet dhe nuk mund të kompensohet, në krahasim me ditët e tjera.
    3. Nga lutjet e Ibën Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, në këtë ditë ishte: “La ilahe il-llahu uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu, ue huve ala kul-li shejjin kadir. Allahume ihdina bil huda ue zejjina bittakua, ue igfirlena fil ahireti uel ula.”

    Pastaj e ulte zërin dhe thoshte: “O Zot! Kërkoj prej Teje nga mirësitë dhe dhuntitë e Tua furnizim të mirë dhe të bereqetshëm. O Zot! Ti urdhërove të Të lutemi dhe ia përcaktove Vetes që ato lutje t’i pranosh, Ti nuk e thyen premtimin Tënd dhe nuk e tradhton marrëveshjen Tënde.

    O Zot! Çdo gjë që Ti e do nga e mira, na e bëj të dashur edhe neve dhe na e lehtëso atë, dhe çdo gjë që Ti e urren, na e bëj të urryer edhe neve dhe na largo nga ajo, dhe mos na e merr Islamin, pasi na bëre myslimanë.”[26]

    1. Myslimani i cili e shpreson në këtë ditë faljen nga Allahu dhe lirimin nga zjarri i Xhehenemit përkujdeset t’i ruajë gjymtyrët nga haramet dhe kujdeset të mos bjerë në mëkate, kërkon falje dhe pendohet tek Allahu për mëkatet, i vendosur të mos u kthehet gjynaheve dhe ndien keqardhje për të kaluarën, dhe këtë gjendje mundohet ta bëjë në përditshmërinë e tij gjatë tërë vitit.

    Erdhi në një hadith: “Kjo është një ditë që kush në të e zotëron dëgjimin, shikimin dhe gjuhën, i falet atij.”[27]

    1. Qëndrimi në Arafat është shtylla më e madhe e haxhit dhe Arafati i tëri është vendqëndrim i vlefshëm, përveç fushës Urane. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Haxhi është Arafat.”[28]
    2. Haxhilerët pas lindjes së diellit të ditës së nëntë nisen prej Minës për të qëndruar në Arafat. Gjatë rrugës bëjnë telbije (lebejke Allahume lebejke) dhe tekbir (Allahu ekber), ashtu siç vepruan shokët e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur ishin me të në haxhin lamtumirës.

    Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ai që kishte dëshirë të bëjë telbije bënte telbije  dhe askush nuk e pengonte, dhe ai që kishte dëshirë të bëjë tekbir bënte tekbir dhe askush nuk e pengonte.”[29]

    1. Koha e qëndrimit në Arafat fillon kur dielli e kalon zenitin e qiellit, (koha e hyrjes së drekës) dhe zgjat deri në lindjen e sabahut të ditës së Kurban Bajramit.
    2. Kush nuk qëndroi në Arafat derisa lindi sabahu i ditës së Kurban Bajramit, atij i ka ikur haxhi, kurse kush qëndroi në Arafat, qoftë edhe qëndrim më i shkurtër brenda kohës së përcaktuar të qëndrimit në Arafat, vetëm se e ka zënë haxhin.
    3. Kush qëndron në Arafat detyrohet të qëndrojë deri në perëndimin e diellit, sepse Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, qëndroi në Arafat deri në perëndimin e diellit dhe tha: “Merrni nga unë ritet tuaja të haxhit.”[30]

    Dalja nga Arafati para se të perëndojë dielli është nga veprat e injorancës së kohës para Islamit dhe kjo vepër u kundërshtua me ardhjen e Islamit.

    1. Kush qëndron gjatë ditës në Arafat dhe prej aty largohet para se të perëndojë dielli, duhet të therë kurban, e nëse paralajmërohet për gabimin e bërë dhe menjëherë kthehet të qëndrojë në Arafat, qoftë edhe para se të lindë sabahu, atëherë nuk detyrohet të therë kurban.
    2. Kush qëndron në Arafat vetëm gjatë natës, d.m.th. vjen në Arafat pasi të perëndojë dielli i ditës së Arafatit, qëndrimi i tij është i saktë dhe i pranohet dhe nuk duhet të therë kurban.
    3. Pëlqehet për haxhilerët që namazin e drekës dhe ikindisë ta bashkojnë në kohën e drekës dhe ta falin namazin me imam, ashtu si veproi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e nëse nuk kanë mundësi të veprojnë kështu, atëherë njëri nga haxhilerët e thërret ezanin dhe e falin namazin në vendin (çadrën) ku qëndrojnë në Arafat.
    4. Pëlqehet për haxhiun që gjatë qëndrimit në Arafat ta angazhojë veten me të përmendurit e Allahut, me lutje dhe me lexim të Kuranit. Përpjekja në lutje gjatë ditës së Arafatit është e vërtetuar në fjalën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Lutja më e mirë është lutja që bëhet në ditën e Arafatit.”[31]
    5. Dita e Arafatit është ditë e faljes dhe e lirimit nga zjarri. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nuk ka ditë ku Allahu më së shumti i liron robërit e Tij nga zjarri i Xhehenemit si në ditën e Arafatit. Ai zbret atë ditë dhe mburret para melaqeve dhe iu thotë: Çfarë dëshirojnë ata?”[32]

    Fjala e Allahut “Çfarë dëshirojnë ata?” drejtuar melaqeve, edhe pse Allahu është më i Dijshmi, e ka për qëllim “çfarë dëshirojnë ata që i braktisën familjet dhe vendlindjet, e harxhuan pasurinë dhe i lodhën trupat; d.m.th. ata nuk dëshirojnë diçka tjetër përveç faljes, kënaqësisë së Allahut dhe afrimit tek Allahu dhe lirimit nga zjarri i Xhehenemit, dhe kushdo që vjen me këtë qëllim për të nuk ka frikë se do të refuzohet.”

    Fjalët bëjnë të kuptosh sikurse për qëllim është “Atë që e dëshiruan ata, ajo do t’u jepet, dhe shkallët e tyre do t’u rriten sipas veprave dhe qëllimeve të tyre.”[33]

    1. Me një hadith Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu mburret para melaqeve me ata që qëndrojnë në Arafat dhe u thotë: Shikoni robërit e Mi, Më kanë ardhur të rraskapitur dhe pluhurosur.”[34]
    2. Dijetarët thonë: Mburrja e Allahut para melaqeve me haxhilerët “aludon se ata janë të falur dhe se ai nuk mburret me mëkatarë dhe gjynahqarë vetëm se pasi të pendohen dhe t’u falet atyre.”[35]
    3. Dita e Arafatit është ditë feste për ata që qëndrojnë në Arafat, është ditë e faljes dhe lirimit nga zjarri i Xhehenemit, prandaj nuk pëlqehet për haxhiun ta agjërojë këtë ditë, me qëllim që ta ruajë fuqinë për dhikër dhe dua, dhe e ndjek kështu edhe traditën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili thotë: “Dita e Arafatit, Dita e Kurban Bajramit, ditët e Teshrikut (tre ditët pas Bajramit), janë festë për myslimanët dhe ato janë ditë ngrënieje dhe pirjeje.”[36]
    4. Dhe për në fund….

    Ai që nuk pati mundësi këtë vit të qëndrojë në Arafat, le t’ia japë hakun Allahut që e di nga vendlindja e tij.

    Ai që nuk pati mundësi ta kalojë natën në Muzdelife, le ta shtojë vullnetin e tij për t’iu bindur Allahut dhe për t’iu afruar Allahut në vendlindjen e tij.

    Ai që nuk pati mundësi të qëndrojë në luginën e Minas, le të shpresojë dhe le t’ia ketë frikën Allahut ashtu si e meriton në vendlindjen e tij.

    Ai që nuk pati mundësi të therë kurban në Mina, le ta therë (mposht) epshin këtu në vendlindje duke e arritur qëllimin e tij.

    Ai që nuk pati mundësi ta vizitojë Qabenë për shkak largësisë, le ta synojë Zotin e Qabesë me lutje dhe me shpresë, sepse Ai është më afër atij që i lutet dhe e shpreson sesa vetë damari i qafës së tij.[37]

    E lusim Allahu të na bëjë nga ata që ua pranon veprat, të na përfshijë në faljen dhe mëshirën e Tij dhe të na bëjë nga ata, që i liron nga zjarri i Xhehenemit.

    Falënderimi i takon Allahu, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed Salih El-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Marrë nga libri Sezonet e adhurimit)

     

    [1] Ebu Davudi (1765), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të vërtetë.

    [2] Buhariu (45), Muslimi (3017).

    [3] Kelale për qëllim e ka atë njeri i cili vdes dhe nuk ka fëmijë dhe as prindër të cilët e trashëgojnë në pasuri dhe ajeti i kelales, i cili gjendet në suren En-Nisa dhe ajeti 176, flet se si duhet t’i ndahet pasuria këtij njeriu, që nuk ka si trashëgimtarë fëmijë dhe prindër.(sh.p.)

    [4] Shih: Tefsir Taberij (8/80), dhe Bagavij (3/13), dhe Ibën Atijeh (2/154), dhe Fet’hul Kadir të Sheukanit (2/13).

    [5] Tirmidhiu (3339), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

    [6] Shih: Tefsir et-Taberij (24/348), el-Kurtubij (20/40), Ibën Kethir (8/391).

    [7] Ibën Hibani (3583), dhe të tjerët.

    [8] Red ala xhehmije, Imam Darimij (137), Sherh usul itikad ehli suneh, El-Lalekai (3/499).

    [9] Mexhmual Fetave (5/373).

    [10] Letaif el Mearif, (fq. 276).

    [11] Letaif el Mearif, (fq. 287).

    [12] Letaif el Mearif, (fq. 283).

    [13] Tirmidhiu (3585), shejh Albani e vlerësoi si të mirë hadithin.

    [14] Ahmedi (6916), dhe kontrolluesit e Musnedit të imam Ahmedit e vlerësuan hadithin si të mirë.

    [15] Buhariu (3293), Muslimi (2691).

    [16] Letaif el Mearif (fq. 214).

    [17] Letaif el Mearif (fq. 283).

    [18] Ahmedi (5446), dhe kontrolluesit e Musnedit të imam Ahmedit e vlerësuan hadithin si të saktë.

    [19] Shih: Zadul Mead (1/60).

    [20] Muslimi (1162).

    [21] Shih: Fet’hul Barij (4/234), Fetave Ibën Baz (15/313), Fetava Ibën Uthejmin (20/58).

    [22] Shih: Fetava el-Lexhntul Daime (10/398).

    [23] Buhariu (2996).

    [24] Dijetarët tekbirin e ndajnë në të papërcaktuar dhe të përcaktuar. Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, thotë se dallimi mes dy llojeve të tekbirit është se tekbiri i papërcaktuar shqiptohet në çdo kohë, kurse ai i përcaktuar shqiptohet vetëm pas çdo namazi farz në Kurban Bajram. Koha e tekbirit të papërcaktuar në Kurban Bajram fillon me hyrjen e muajit Dhulhixhe e deri në ditën e katërt të Bajramit kur perëndon dielli, kurse në Fitër Bajram prej kur perëndon dielli ditën e fundit të muajit Ramazan dhe hyn nata e parë muajit Sheval, e deri kur të falet namazi i Bajramit. Kurse tekbiri i përcaktuar siç e cekin dijetarët fillon prej namazit farzit të sabahut ditën e Arafatit e deri në ditën e katërt të Bajramit pas farzit të namazit të ikindisë. (Mexhmua Fetava ue resail, shejh Uthejmini, vëllimi 16, Kapitulli i Bajramit.) Nga format e tekbirit është: ‘‘Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahi elhamd.’’ Është përcjellë edhe me tri tekbire d.m.th. tri herë të shqiptohet Allahu ekber. (sh.p.)

    [25] Tirmidhiu (3585), shejh Albani hadithin e vlerësoi si të saktë.

    [26] Et-Taberanij fi ed-Dua (878). Zinxhirin e tij e ka lëvduar lart Ibën Tejmije në Sherh el Umde (3/509, kapitulli i ritualeve).

    [27] Imam Ahmedi (1403), El Mundhirij dhe Ahmed Shakir e saktësuan hadithin, ndërsa shejh Albani e vlerësoi si të dobët.

    [28] Ebu Davudi (1949), Tirmidhiu (889), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [29] Buhariu (970), Muslimi (1285).

    [30] Muslimi (1297).

    [31] Tirmidhiu (3585), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të mirë.

    [32] Muslimi (1348).

    [33] Mirkatul Mefatih (5/1800).

    [34] Imam Ahmedi (8033), Ibën Hibani (3752) dhe hadithi gjendet në Sahih et-Tergib.

    [35] Et-Temhid, Ibën Abdulber, (1/120.)

    [36] Ebu Davud (2419), Tirmidhiu (773), shejh Albani hadithin e vlerësoi të saktë.

    [37] Letaif el Mearif (fq. 782.)