Category: Mirësjellja – Edukata fetare

  • KURBANI -DISPOZITA DHE RREGULLA

    KURBANI -DISPOZITA DHE RREGULLA

    1. Kurban (el ud’hije – në gjuhën arabe) është emri i kafshës (deve, lopë, dele, dhi etj.), që theret në ditën e Bajramit dhe vijon edhe tri ditë të tjera që njihen si ditët e Teshrikut, në shenjë afrimi tek Allahu.

    Është quajtur me emrin “el ud’hije” , sepse koha e therjes së kafshës fillon në mëngjes të ditës së Bajramit, në kohën e paradites.[1]

    1. Kurbani u bë i ligjshëm në vitin e dytë hixhri dhe është nga ritet e Islamit i ligjëruar me Kuran dhe Sunet të Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe me pajtueshmëri të myslimanëve.

    Allahu thotë: “Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban.” (El Keuther: 2).

    Dhe Allahu thotë: “Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata ta përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim…” (El Haxh: 34)

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e vërtetoi me fjalë dhe me vepër, dhe myslimanët e vazhduan këtë rrugë.

    1. Vlera e kurbanit është e madhe, por nuk ka ardhur ndonjë argument i saktë që e përcakton shpërblimin e tij.

    Ibën el-Arabij el-Malikij, Allahu e mëshiroftë, tha: “Njerëzit rreth kurbanit dhe shpërblimit të tij transmetojnë mrekulli që nuk janë të vërteta.”[2]

    Andaj ata që nëpërmjet rrjeteve sociale dhe faqeve të internetit postojnë hadithe profetike duhet të jenë të kujdesshëm se çfarë postojnë dhe shpërndajnë aty.

    1. Kurbani te shumica e dijetarëve është sunet i fortë dhe disa dijetarë të tjerë mendojnë se kurbani është i detyrueshëm për atë që ka mundësi, ky është medh’hebi i Ebu Hanifes dhe përcillet si një nga dy mendimet e imam Malikut dhe Ahmedit, dhe këtij mendimi i takon Ibën Tejmije, Allahu i mëshiroftë. Prandaj, besimtari që ka mundësi për të therur kurban, nuk duhet ta anashkalojë këtë.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ai që ka mundësi dhe nuk ther kurban, mos t’i afrohet faltores në ditën e Bajramit.”[3]

    1. Kurbani është i ligjshëm për të gjithë njerëzit, mashkull dhe femër, vendas dhe udhëtar, banor i fshatrave apo i qyteteve, që jetojnë në toka myslimane apo toka të tjera, përveç për atë që është në haxh, sipas imam Malikut, i cili thotë se haxhiu bën kurban haxhi (lloj i këtij haxhi). Të këtij mendimi janë edhe Ibën Tejmije, nxënësi i tij Ibën Kajimi, dhe nga dijetarët bashkëkohorë Ibën Uthejmini, Allahu i mëshiroftë.
    2. 6. Ai që nuk posedon të holla të therë kurban nuk i ndalohet të marrë borxh, nëse shpreson ta kthejë borxhin, si për shembull punëtori nëse merr borxh për ta kthyer në fund të muajit kur ta marrë rrogën, apo kurbanin e blen me këste, kurse ai që nuk ka mundësi ta kthejë borxhin, më mirë është të mos marrë borxh, që të mos e ngarkojë veten me diçka që nuk e ka për detyrim.

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Besimtari nëse merr borxh për kurban duke e ditur se ka mundësi ta lajë borxhin e tij, kjo është mirë, mirëpo nuk e ka për detyrim të veprojë ashtu.” [4]

    1. Nga sadakatë që preferohet të jepet është futja e gëzimit në zemrën e atij që nuk ka mundësi të therë kurban, duke i ndihmuar me të holla të blejë kurban apo duke ia dhuruar delen ta therë për kurban.

    Ukbe ibën Amir përcjell se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u ndante shokëve të tij kurbane.[5]

    Nga bujaria dhe mirësia është që kush ka më shumë se një kurban, të autorizojë një të varfër që ka familje, nga familjarët apo të afërmit apo nga fqinjët, ta therë njërin kurban në shtëpinë e tij që të fusë gëzim tek ai dhe familja e tij.

    1. Nga urtësitë e kurbanit është:

    – Adhurimi i Allahut duke i zbatuar ligjet e Tij. Allahu thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj…” (El Haxh: 37)

    – Ringjallja e traditës së Ibrahimit, alejhi selam.

    – Falënderimi i takon Allahut për begatitë e Tij të shumta që na i dhuroi dhe ndër to begatinë e kafshëve që theren për kurban. Allahu thotë: “…që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe ta përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!” (El Haxh: 28)

    – Pjesëmarrja e atyre që nuk kanë shkuar në haxh në disa rite të haxhit me haxhilerët.

    – Zemërgjerësia në shpirt për veten dhe për familjarët, fisnikërimi i fqinjëve, të afërmve dhe shokëve, dhe dhënia e sadakasë për të varfrit në ditën e Bajramit.

    1. Të therësh kurban është më mirë sesa të japësh sadaka në vlerën e tij, sepse therja e kurbanit është rit nga ritet e Allahut dhe sunet i fortë nga sunetet e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.

    Ky është medh’hebi i katër imamëve.

    Seid ibën el Musejib, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Të theri dele kurban për mua është më e mirë sesa të jap sadaka njëqind dërhem.”[6]

    Shtoja edhe faktin se therja për Allahun është rit dhe adhurim me qëllim të veçuar. Allahu thotë: “Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban.” (El Keuther: 2); prandaj nëse njerëzit e zëvendësojnë therjen me dhënie sadaka në vlerë të kurbanit, atëherë riti i therjes do të humbet.

    1. Në esencë kurbani është i ligjshëm për të gjallët, ashtu si veproi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe shokët e tij, të cilët thernin kurban për veten dhe familjen.

    Për të vdekurin kurbani është i ligjshëm, nëse ai e ka lënë vasiet apo nëse e bashkëngjisin me të gjallët në nijet, d.m.th. njeriu ther për vete dhe për familjen e tij dhe me një nijet i përfshin të gjallët dhe të vdekurit.

    1. Kurbani veçmas për të vdekurin si dhuratë lejohet. Dijetarët e fikut (jurispondencës islame) thonë se shpërblimet e kurbanit i shkojnë të vdekurit dhe i vdekuri përfiton nga kurbani, sikurse sadakaja që i shkon të vdekurit dhe përfiton nga ajo.

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, si më të saktë e zgjedh mendimin se dhënia sadaka në vlerë të kurbanit është më e mirë për të vdekurin se therja kurban për të, ngase kurbani për të vdekurit te të parët tanë të mirë nuk ka qenë traditë e tyre.

    1. Kusht për t’u pranuar kurbani është që kafsha të jetë deve, lopë, dele apo dhi, me të gjitha llojet e saj, bazuar në fjalën e Allahut: “Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata ta përmendin Emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim. Zoti juaj është një Zot i Vetëm, prandaj vetëm Atij përuljuni. Dhe jepu lajme të mira atyre që janë të përulur.” (El Haxh: 34)
    2. Një dele është e vlefshme për një familje, pra nëse njëri nga familjarët e bën një dele kurban apo gruaja bën kurban dhe në të e përfshin burrin dhe fëmijët e saj, arrihet qëllimi i ritit dhe të gjithë përfshihen në shpërblimin e kurbanit.

    Ebu Ejub el-Ensarij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Burri për veten dhe për familjen e tij bënte një dele kurban, hanin nga mishi kurbanit dhe ua shpërndanin të tjerëve.”[7]

    1. Ai që bën kurban, nëse nuk i përfshin të tjerët nga familja në nijetin e tij, automatikisht vetvetiu përfshihen edhe ata në shpërblim, dhe anëtarë familjeje llogaritet çdonjëri që gjuhësisht apo tradicionalisht e përfshin kjo fjalë. Te njerëzit zakonisht familje llogariten ata që burri shpenzon për ta dhe i ushqen, si: gruaja, fëmija dhe i afërmi.
    2. Nëse në një shtëpi jetojnë më shumë vëllezër me fëmijët e tyre, dhe bashkërisht ushqehen dhe hanë, edhe një kurban është i vlefshëm për ta. E nëse çdonjëri nga ta posedon shtëpi në vete, atëherë e ligjshme është që çdo familje të therë kurban veçmas për ta.
    3. Ai që është i martuar me më shumë se një grua, i mjafton të bëjë një kurban për të gjitha gratë, ashtu si veproi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili për të gjitha gratë e tij e theri një kurban, mirëpo duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e veçojë njërën nga gratë me diçka më tepër nga kurbani dhe duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë me to.
    4. Një deve është e vlefshme për shtatë veta dhe një lopë është e vlefshme për shtatë veta, bazuar në fjalën e Xhabir ibën Abdullahut, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili tha: “Me Profetin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në vitin e Hudejbijes e therëm një deve për shtatë veta dhe një lopë për shtatë veta.”[8]
    5. Lejohet pjesëmarrja në një kurban, qoftë lopë apo deve, edhe nëse ndonjëri nga pjesëmarrësit nuk dëshiron të bëjë kurban, por qëllimi i tij është të marrë pjesë për ndonjë zotim që e ka bërë, apo të marrë nga mishi për ta gostitur mysafirin, apo për ta shpërndarë mishin për lëmoshë, etj.. Çdonjëri shpërblehet sipas nijetit të tij.
    6. Lejohet pjesëmarrja në kurban lopë apo deve edhe nëse janë më pak se shtatë veta, sepse nëse lejohet pjesëmarrja e shtatë vetave në të, atëherë në rend të parë lejohet të marrin pjesë edhe më pak se shtatë veta, dhe pjesa e mbetur apo teprica u llogaritet vullnetare.
    7. Nuk lejohet më shumë se një njeri të marrë pjesë në një dele, për shkak se nuk ka ardhur argument për një gjë të tillë, sikurse nuk lejohet që tetë e më shumë veta të marrin pjesë në një deve apo lopë, sepse adhurimet janë statike dhe nuk lejohet tejkalimi i një adhurimi të përcaktuar, qoftë në sasi apo formë.
    8. Lloji më i mirë i kafshës për kurban sipas disa dijetarëve është therja e dashit, sepse ashtu veproi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ndërsa shumica e dijetarëve thonë: “Kafsha më e mirë për kurban është deveja, pastaj lopa nëse theret e tëra, pastaj delja, e më pas dhia.

    Argumenti i tyre është fjala e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kushdo që lahet ditën e xhuma sikurse lahet prej xhunubllëkut dhe pastaj shkon për namaz në orët e para, sikur ta ketë bërë kurban një deve, kush shkon në orën e dytë sikur ta ketë bërë kurban një lopë, kush shkon në orën e tretë sikur ta ketë bërë kurban një dash me brirë …”[9]

    Pra, në hadith përparësi i jepet devesë, e pastaj në shkallë të dytë lopës dhe pastaj dashit.

    1. Kurbani më i mirë është ai më i trashi, që ka më shumë mish, më i plotë në trup dhe më i bukur në pamje.

    Ebu Umame ibën Sehl tha: “Në Medine kurbanit i jepnim të hajë dhe të trashet, dhe po ashtu myslimanët e tjerë që blinin kurbanin, e trashnin për ta therur në Bajram.”[10]

    Enes ibën Malik përcjell se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për kurban i theri dy desh të majmë, me ngjyrë të bardhë dhe pulla të zeza dhe me brirë të mëdhenj.[11]

    1. Kurbani patjetër duhet ta arrijë moshën e përcaktuar sheriatikisht, bazuar në fjalën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Mos të therni për kurban veçse ‘musine’ e nëse nuk kemi mundësi të therni ‘musine’, atëherë therni ‘xhedhea’ prej deleve.”[12]

    ‘Musine’ është kafsha ‘thenije’ e më e madhe, kurse ‘xhedhea’ më e vogël.

    ‘Thenije’ prej deveve është ajo që i ka mbushur pesë vjet dhe ka hyrë për të gjashtën.

    ‘Thenije’ prej lopëve është ajo, që i ka mbushur dy vjet dhe ka hyrë për të tretën.

    ‘Thenije’ prej dhive është ajo, që i ka mbushur një vit dhe ka hyrë për të dytin.

    ‘Xhedhea’ prej deleve është, ajo që i ka gjashtë muaj dhe ka hyrë për të shtatin..

    Pra, është detyrim i patjetërsueshëm të respektohet mosha e kurbanit e përcaktuar sheriatikisht. Nuk lejohet të kundërshtohet rregulli dhe kurbani të theret nën moshën e përcaktuar, ndërsa lejohet nëse është mbi atë moshë.

    1. Kurbani patjetër duhet të jetë pronë e atij që e bën kurban, qoftë atë e ka blerë apo i është dhuruar apo e ka trashëguar apo vetë e ka rritur, dhe të ngjashme me to.

    Pranohet dhe lejohet që përgjegjësi i jetimit të bëjë kurban për jetimin nga pasuria e jetimit, nëse jetimi i ka mundësitë dhe ka pasuri të veten dhe kjo e gëzon dhe e kundërta e lëndon dhe ia thyen zemrën.

    Ibën Kudame, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kur përgjegjësi i jetimit bën kurban për jetimin, nuk lejohet të japë sadaka me diçka nga kurbani, po atë e mban për jetimin, ngase nuk lejohet që vullnetarisht të jepet diçka sadaka nga pasuria e jetimit.”[13]

    1. Kusht për t’u pranuar kurbani është të theret në kohën e vet të përcaktuar sheriatikisht.

    Koha e therjes së kafshës fillon pas faljes së namazit të Bajramit bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Gjëja e parë që fillojmë me të në ditën e Bajramit është falja e namazit, më pas kthehemi në shtëpi dhe e therim kurbanin, dhe ai që vepron kështu vetëm se ia ka qëlluar sunetit.”[14]

    1. Kush e ther kurbanin e tij para se të falet namazi Bajramit, kurbani i tij nuk është i vlefshëm, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kush e ther kurbanin para se të falet namazi Bajramit, ai thjesht është mish që ia shtron familjes së tij, dhe nuk ka të bëje asgjë me ritin e kurbanit.”[15]
    2. Koha e therjes së kurbanit përfundon me perëndimin e diellit të ditës së tretë të Teshrikut (dita e katërt e Bajramit), d.m.th. që ditët e therjes janë katër, dita e Bajramit dhe tri ditë pas saj.
    3. Koha më e mirë për ta therur kurbanin është dita e parë, pra dita e Bajramit, pasi të falet namazi i Bajramit, dhe çdo ditë që vjen pas Bajramit është më e mirë sesa tjetra që vjen pas saj, për shkak se nxitohet në bërjen e veprës së mirë. Ajo më e sakta është që therja të mos vonohet deri në ditën e katërt, duke e marrë parasysh mendimin e një grupi të dijetarëve që thonë se ditët e therjes janë tri dhe jo katër ditë.
    4. Lejohet therja e kurbanit gjatë ditës dhe natës, por më mirë është të theret gjatë ditës, ngase është rit i dukshëm, që ta shohin të varfrit (që t’u jepet nga mishi tij).
    5. Nëse koha e therjes kalon dhe kurbani nuk është therur, nuk detyrohet kompensim, nëse ka qenë për qëllim të bëhet kurban vullnetarisht.

    Nëse kurbani ka qenë zotim, atëherë detyrohet kompensimi, dhe me të veprohet ashtu si veprohet me kurbanin.

    1. Prej kushteve të kurbanit është të jetë pa të meta që e ndalojnë vlefshmërinë e kafshës për t’u bërë kurban, sepse kurbani është vepër që e afron robin tek Allahu, dhe Allahu është i Bukur dhe i Mirë dhe nuk e pranon përveçse të bukurën dhe të mirën, andaj edhe kurbani duhet të jetë i mirë dhe pa të meta.
    2. Në hadithet e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, janë përcaktuar katër të meta që e ndalojnë vlefshmërinë e kafshës për t’u bërë kurban.

    El Bera ibën Azib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell dhe thotë: “Ishim me Profetin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe ndërkohë u ngrit dhe tha: “Nuk lejohet për kurban kafsha qorr, që është qorre e qartë, çalamanja me çalim të qartë, e sëmura me sëmundje të qartë dhe e dobëta, e cila nuk ka fare dhjamë në të .”[16]

    1. Me sëmundje të qartë për qëllim është ajo sëmundje që e prek kafshën dhe simptomat i ka të qarta, si: temperatura e cila e pengon të ngritet të kullotë dhe ia humb oreksin, dhe zgjeba e qartë që ia prish mishin apo ndikon në cilësinë e mishit, si dhe plaga e thellë që ndikon në shëndetin e saj, dhe të ngjashme me to.

    Kurse sëmundja e lehtë nuk është pengesë, si dhe çalimi i lehtë dhe dobësimi i lehtë dhe jo i tepërt.

    1. Këtyre katër të metave u shtohen edhe të meta të tjera që janë të ngjashme me to apo edhe më të rënda se to, kështu që për kurban nuk lejohet kafsha:

    – E verbër, sepse ajo është më keq se qorrja, e cila duket qartë që syrin e ka qorr.

    – Ajo, e cila është pranë ngordhjes dhe ende s’ka ndërruar jetë, sepse gjendja e saj është më e rëndë se ajo me sëmundje të qartë dhe që çalon qartë.

    – Ajo, e cila njërën dorë apo këmbë e ka të prerë, sepse e meta e saj është më e rëndë, sesa ajo që çalon dhe çalimi i saj është i qartë.

    1. Veshi, briri dhe bishti i kafshës nëse janë të humbura që nga lindja, kafsha është e vlefshme për kurban, kurse nëse i janë prerë më vonë atëherë kafsha është e vlefshme për kurban mirëpo urrehet të bëhet kurban, përveç deles që i ka mbushur gjashtë muaj dhe i është prerë bishti nuk lejohet të theret, sepse kjo është mangësi e qartë në një pjesë që synohet të përfitohet nga ajo.
    2. Urrehet të bëhet kurban kafsha që i është copëtuar veshi, apo që i është çarë veshi horizontalisht apo vertikalisht, apo që i kanë rënë dhëmbët, apo që i është thyer briri.
    3. Kafsha e tredhur apo me herdhe të kastruara është e vlefshme për kurban. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për kurban theri dy desh të kastruar, dhe po ashtu mishi i kurbanit të kastruar bëhet më i mirë sesa mishi i kurbanit që nuk është i kastruar. Ibën Kudame, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk di që ka mospajtim mes dijetarëve në këtë pikë.”[17]

    Njëkohësisht Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për kurban theri që nuk ishte i tredhur. Autorët e Suneneve shënojnë nga Ebu Seidi i cili thotë: “Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e theri një dash me brirë dhe i patredhur, me ngjyrë të zezë rreth syrit, te goja dhe te këmbët.”[18]

    1. Kurbani përcaktohet me një nga dy mënyrat: me fjalë, duke thënë ‘ky është kurban’, apo me blerjen e kafshës me nijet për ta bërë kurban.
    2. Pasi të caktohet kurbani ndërlidhen një numër rregullash dhe ndër to:

    Ai që e ka përcaktuar kurbanin nuk lejohet që ta transferojë pronësinë te tjetri, me shitje apo dhuratë apo të ngjashme me to, sepse ajo tanimë i ngjan kafshës për zotim, e cila i është premtuar Allahut, përveç nëse e zëvendëson me një kafshë më të mirë se ajo, apo e shet për ta blerë një më të mirë se ajo.

    Nëse kafshën e godet një e metë që e ndalon vlefshmërinë dhe faji është i atij që bën kurban, ai detyrohet ta zëvendësojë me kafshë tjetër të shëndoshë si ka qenë e para më herët, përveç, nëse kafshën e godet një e metë, pa dashje dhe pa ndonjë dhunë apo sulm prej atij që bën kurban, në këtë rast lejohet therja e saj dhe kurbani është i vlefshëm.

    Nëse humbet apo e vjedhin dhe kjo ndodh nga shkujdesja dhe faji i tij, detyrohet ta zëvendësojë me tjetër si ajo, a nëse ndodh pa dashje dhe pa ndonjë shkak prej tij, atëherë nuk detyrohet të veprojë gjë.

    Nëse kafsha pjell pasi është përcaktuar për kurban, gjykimi për fëmijën e saj është i njëjtë me atë të nënës, dhe theret së bashku me të.

    1. Kush bën nijet për kurban e më pas e prish nijetin e tij, nuk detyrohet të bëjë gjë, përveçse nëse e ka caktuar kurbanin e tij (duke e veçuar apo blerë atë kafshë), në këtë rast detyrohet ta therë kurbanin dhe nuk ka kthim, sepse me caktimin e kafshës ajo më ka dalë nga pronësia e tij.
    2. Kurbanin pëlqehet ta therë vetë ai që dëshiron të bëjë kurban, nëse di si ta therë, ngase therja është adhurim dhe afrim për tek Allahu, prandaj pëlqehet që vetë ta veprojë. Po ashtu Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, vetë therte kurban dhe është nga veprimet e tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, kurse ne Profetin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e kemi shëmbëlltyrën më të mirë.

    Nëse ai nuk e njeh therjen, ia jep dikujt tjetër që di ta therë për të.

    1. Lejohet zëvendësimi në therjen e kurbanit. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në haxhin e lamtumirës me dorën e tij theri gjashtëdhjetë e tri deve dhe më pas e ngarkoi Alij ibën Ebi Talib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, që t’i therë të tjerat që kishin mbetur.
    2. Për zëvendësim më e mira është që ta zgjedhë të devotshmin dhe të mirin që e njeh therjen dhe dispozitat e saj.

    Imam el Karafij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Për t’ua therur njerëzve kurbanin e zgjedhin atë që ka fe.”[19] Më e mira për myslimanin është të mos e angazhojë dikë nga ithtarët e librit që ta therë kurbanin e tij.

    1. Ai që bën kurban nuk duhet të heqë apo të shkurtojë diçka nga flokët, thonjtë apo qimet e trupit të tij, prej kur fillon nata e parë e Dhulhixhes e deri sa ta therë kurbanin.

    Kjo duke u bazuar në hadithin që e përcjell Ummu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Kur të hyjnë dhjetë ditët e Dhulhixhes dhe ndonjëri nga ju dëshiron të bëjë kurban nuk i lejohet të prekë (të heqë) asgjë nga flokët dhe lëkura e tij.”

    Në një transmetim tjetër: “Të mos marrë diçka nga flokët dhe nga thonjtë e tij deri ta therë kurbanin.”[20]

    Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Me ndalesën për të hequr (prerë) thonjtë dhe qimet nënkuptohet prerja apo thyerja e thonjve dhe të ngjashme me to, dhe rruajtja ose shkurtimi apo shkulja ose djegia apo heqja e qimeve me ‘neura’[21] apo të ngjashme me to.

    Kjo vlen për të gjitha qimet e trupit, nën sqetulla, mustaqe, vendet intime, në kokë dhe çdo qime tjetër nga qimet e trupit.”[22]

    Ndalohet heqja apo prerja e thonjve dhe qimeve para namazit të Bajramit, edhe nëse për qëllim e ka zbukurimin për namaz, ndërsa nëse therjen e vonon dhe kurbanin nuk e ther në ditën e parë, është i detyruar të mos marrë asgjë nga qimet dhe thonjtë derisa ta therë kafshën.

    1. Ky gjykim është i veçantë për atë që bën kurban, ndërsa anëtarët e familjes së tij nuk përfshihen në këtë ndalesë, sepse Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, bënte kurban në emër të familjes dhe nuk është përcjellë ndonjë hadith t’i ketë urdhëruar anëtarët e familjes të mos i prekin qimet dhe thonjtë.

    Bazuar në këtë, familja e atij që bën kurban lejohet që gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes t’i heqë apo t’i shkurtojë flokët, thonjtë dhe qimet e trupit.

    1. Ndalesa është e veçantë për atë që bën kurban, ashtu si aludoi hadithi, e nëse ia ka lënë vasiet apo e ka lënë si zëvendës dikë tjetër për ta therur kafshën, ky i fundit nuk përfshihet në ndalesën e prerjes dhe heqjes së qimeve dhe thonjve. Kurse ajo që e bëjnë disa gra, të cilat vëllanë apo birin e autorizojnë në vend të tyre me qëllim që t’i ikin heqjes së qimeve apo prerjes së flokëve gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes, kjo nuk është e saktë, sepse gjykimi ndërlidhet me atë që bën kurban, pavarësisht e autorizoi dikë tjetër apo jo.
    2. Ai që bën kurban nëse merr diçka nga flokët, thonjtë apo qimet e trupit, nuk ka shpagim që bie mbi të, dhe kjo nuk e ndalon ta therë kurbanin dhe nuk ia humb vlefshmërinë kurbanit, ashtu si mendojnë disa, dhe duhet të bëjë istigfar (të kërkojë falje nga Allahu).
    3. Nëse patjetër e ka të marrë diçka nga flokët, thonjtë apo qimet e trupit, i lejohet ta bëjë një gjë të tillë dhe nuk ka mëkat e as shpagim që bie mbi të. Si p.sh. thoi thyhet dhe kjo i jep dhembje, mundet ta shkurtojë, apo i bien qimet e flokëve deri në sy dhe i pengojnë, mundet t’i shkurtojë, apo ka nevojë t’i shkurtojë qimet në ndonjë pjesë të trupit për ta kuruar plagën, mundet t’i shkurtojë, dhe raste të ngjashme me to.

    Krehja e flokëve lejohet, edhe pse bien disa qime pa dashje.

    1. Nga etika e therjes është që kafsha për kurban të çohet në mënyrën më të mirë deri në vendin e therjes dhe të mos keqtrajtohet. Muhamed ibën Sirin, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e pa një burrë se si e tërhiqte delen për këmbe dhe atij i tha: “Mjerë për ty! Çoje për ta therur në mënyrën më të mirë.”[23]
    2. Thika duhet mprehur para therjes, sepse kërkohet kafshës t’i lehtësohen vuajtjet. Kjo është nga bamirësia që e përmendi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në hadith: “Allahu e caktoi bamirësinë në çdo gjë, kur ta mbytni (p.sh. armikun) mbyteni në mënyrën më të mirë, dhe kur ta therni kafshën, thereni në mënyrën më të mirë. Mprihni mirë thikat tuaja, që t’ia lehtësoni vuajtjet kafshës suaj.”[24]

    Thika nuk mprehet para kafshës; që do të theret dhe kafsha nuk theret para syve të kafshës tjetër, sepse kjo gjë e mohon bamirësinë që jemi të urdhëruar ta zbatojmë.

    Pëlqehet gjatë therjes që delja dhe lopa të shtrihen dhe të mos theren në këmbë apo të rëna në gjunjë, sepse kjo për to është më e mëshirshme.

    Kafsha shtrihet kah ana e majtë e saj, sepse për therje është më lehtë dhe kapet thika me dorën e djathtë dhe kapet koka e kafshës me dorën e majtë.

    Kush gjen vështirësi në therje dhe më i mirë është në përdorimin e së majtës se të djathtës, atëherë kafshën e shtrin në anën e djathtë dhe e drejton kah Kibla dhe e ther me dorën e majtë, sepse ai është më i shkathët me të majtën dhe është më mirë për therje.

    Kurse deveja, prej sunetit është të theret në këmbë duke qëndruar në tri këmbët e saj dhe me këmbën e majtë të lidhur dhe të ngritur lart.

    1. Ai që e ther kurbanin pëlqehet të drejtohet kah Kibla dhe njashtu ta drejtojë edhe kafshën kah Kibla dhe kjo është e pëlqyer të veprohet gjatë therjes së çdo kafsheje, porse te kafsha për kurban është edhe më e pëlqyer. Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ai që ther kurban le ta vendosë kurbanin e tij në mes tij dhe Kiblës.”
    2. Kurbani është adhurim dhe adhurimi përcaktohet me nijet, bazuar në fjalën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Veprat shpërblehen sipas nijetit dhe çdonjëri shpërblehet sipas nijetit të tij.”[25]

    Patjetër nijeti duhet të jetë prezent që ta dallojë veprën e cila është adhurim nga ajo e cila është traditë, dhe kështu duhet të jetë edhe te kurbani.

    Me blerjen e kafshës për kurban apo me therjen e saj në kohën e vet të përcaktuar, mjafton të llogaritet kafsha se është therur për kurban, sepse nijeti është me zemër dhe veprat aludojnë në atë.

    1. Gjatë therjes e ligjshme është të shqiptohet bismilah, Allahu ekber dhe të bëhet duaja. Pra, thotë: “Bismilah, uAllahu ekber, Allahume in-ne hadha minke ue leke, Allahume tekabel mini”,[26] apo thotë: “Tekabelhu an filan”,[27] nëse kafsha theret për dikë tjetër jo për vete.

    Nga kjo që u përmend më lart e detyrueshme është vetëm shqiptimi i fjalës ‘bismilah’, kurse ajo çfarë shtohet jashtë saj është e pëlqyer dhe jo e detyruar.

    1. Nuk lejohet shitja e mishit të kurbanit, e as shitja e lëkurës, leshit dhe qimeve të kurbanit, sepse ajo që del apo jepet nga robi për Allahun, nuk lejohet më të kthehet asnjëherë, dhe shitja e disa pjesëve të saj llogaritet një lloj i kthimit të saj.

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Subhanallah (i lartësuar qoftë Allahu)! Si e shet kur e ka dhuruar për Allahun e Madhëruar?!”.

    56.Kurse shfrytëzimi i lëkurës së kurbanit lejohet në çfarëdo lloj forme qoftë ajo, apo mundet të jepet në shoqata bamirëse, të cilat e marrin përgjegjësinë për ta shitur dhe pastaj të hollat e tubuara t’i japin sadaka.

    1. Nuk lejohet t’i jepet kasapit asgjë nga kurbani si kompensim për therjen dhe rrjepjen e lëkurës së kurbanit.

    Kjo duke u bazuar në hadithin që e përcjell Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe thotë: “Më urdhëroi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të përkujdesem për një deve dhe të jap sadaka nga mishi, lëkura dhe çdo gjë tjetër të saj, por të mos i jap kasapit asgjë nga ajo, dhe më tha: “Kasapin ne e paguajmë vetë.”[28]

    Kurbani është nxjerrë për Allahun, nëse jepet një pjesë e saj si pagesë për kasapin atëherë i përngjason shitjes. Kjo është një lloj kthimi i disa pjesëve të saj, andaj nuk lejohet.

    1. Nëse kasapi është i varfër apo janë shokë, nuk është problem nëse i jepet nga mishi i kurbanit si sadaka apo në formë dhurate, nëse paraprakisht nuk ka pasur ndonjë kusht që t’i jepet diçka nga mishi si kompensim për punën. Për sa i përket sadakasë dhe dhuratës kasapi është sikurse të tjerët, madje ai është më meritor, sepse vetë e ka therur dhe dëshira është e madhe tek ai për të ngrënë nga mishi kurbanit.
    2. E ligjshme është për atë që bën kurban të hajë nga mishi kurbanit të tij, një pjesë ta japë dhuratë dhe një pjesë ta japë sadaka, bazuar në fjalën e Allahut: “Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!”. (El-Haxh: 28.), dhe po ashtu në fjalën e Allahut: “… hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp. Kështu pra, Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të jeni mirënjohës.” (El-Haxh: 36)

    Seleme ibën el-Ekva’a përcjell se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Hani prej mishit të kurbanit, shpërndajuani edhe të tjerëve dhe ruani prej tij.” [29]

    1. Dijetarët në mes vete kanë disa mendime se sa duhet të jetë sasia e asaj që hahet, dhurohet dhe jepet sadaka?! Kjo çështje është e gjerë dhe ka hapësirë për të vepruar, ndërsa ajo më e mira është që ta hajë një të tretën, një të tretën ta japë dhuratë dhe një të tretën e fundit ta japë sadaka. Ky mendim përcillet prej Ibën Mesudit dhe Ibën Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

    Ebu Xhafer en-Nehas thotë: “Shumica e dijetarëve, ndër ta Ibën Mesudi, Ibën Omeri, Ataja, Theuriju, e pëlqejnë që një e treta të jepet sadaka, një e treta të ushqehen të tjerët  dhe një e treta të hajë ai që bën kurban dhe familja e tij.”[30]

    Nëse për vete ha më shumë se një të tretën lejohet dhe nuk është problem.

    1. Atij që i besohet therja e kurbanit, ka të drejtë të hajë, të shpërndajë dhe të japë sadaka nga mishi i kurbanit nëse paraprakisht i ka dhënë leje, me fjalë apo sipas traditës, ai që ia ka besuar therjen e kurbanit në vend të tij, e nëse nuk i ka dhënë leje, atëherë mishin ia dorëzon atij që e autorizoi ta therë kurbanin në vend të tij.
    2. Duhet të jepet diçka nga mishi kurbanit sadaka, qoftë pak apo shumë, për të varfrit dhe nevojtarët myslimanë. Argument i detyrimit është fjala e Allahut: “Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!” (El-Haxh: 28)
    3. Lejohet që ‘ehlu dhime’[31] të ushqehen nga mishi kurbanit, në veçanti nëse janë të varfër apo fqinjë të atij që ka bërë kurban, apo janë nga të afërmit e tij, apo i ushqen për t’jua zbutur dhe përfituar zemrat, bazuar në fjalën e Allahut: “Allahu nuk ua ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.” (El-Mumtehine: 8)
    4. Është vërtetuar në hadithe të sakta se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në një vit prej viteve ndaloi që të deponohet mishi kurbanit, e pastaj në vitin tjetër e lejoi deponimin dhe ruajtjen e mishit të kurbanit, d.m.th. që ndalesa e ruajtjes dhe e deponimit të mishit të kurbanit është anuluar dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.

    Seleme ibën el-Ekva’a përcjell se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Kush nga ju ther kurban, pas ditës së tretë (të Bajramit) nuk duhet t’i mbetet asgjë nga mishi kurbanit.” – Vitin e ardhshëm i thanë: O i Dërguar i Allahut! A të veprojmë ashtu si vepruam vitin e kaluar? – Tha: “Hani prej mishit të kurbanit, shpërndajuani edhe të tjerëve dhe ruani prej tij. Vitin e kaluar njerëzit ishin në vështirësi dhe dëshirova që t’ju ndihmoni nevojtarëve.” [32]

    1. Në esencë kurbani duhet të theret në vendbanimin e atij që bën kurban dhe të shpërndahet aty, mirëpo lejohet therja dhe shpërndarja e saj edhe jashtë vendit për ndonjë nevojë apo dobi të konsiderueshme, si p.sh. numri i kurbaneve të jetë shumë ndërsa të varfrit në numër të jenë pak, apo myslimanët e ndonjë vendi tjetër të jenë më nevojtarë dhe më zortli për to.
    2. Ai që dëshiron të bëjë kurban dhe është larg familjes dhe vendbanimit të tij, i lejohet ta autorizojë dikë tjetër ta blejë kafshën për kurban në vendlindjen e tij dhe mishi t’u shpërndahet të afërmve dhe banorëve nevojtarë të atij vendi.
    3. Kurbani nuk është i vlefshëm në vend të akikës, sepse çdonjëri prej tyre, edhe kurbani edhe akika, synohen veç e veç dhe dallojnë në mes vete në shkakun e therjes, andaj nuk mund të jetë i vlefshëm njëri në vend të tjetrit.

    Allahu e di më së miri.

     

    E lus Allahun t’i pranojë veprat tona dhe të të gjithë myslimanëve të tjerë.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed Salih El-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Marrë nga libri Sezonet e adhurimit)

     

    [1] Pasi të falet namazi i Bajramit dhe nuk lejohet të theret para se të falet namazi i Bajramit, e nëse theret para se të falet namazi i Bajramit atëherë nuk llogaritet mish i kurbanit, por mish i rëndomtë. (sh.p.)

    [2] Arida el-Ehvedhij (6/228)

    [3] Ibën Maxhe (3123) e shënon si hadith merfu (zinxhiri arrin deri te Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të), kurse Bejhakiu dhe Ibën Haxheri, thonë se hadithi më e besueshme që është meukuf (pra zinxhiri përfundon te Ebu Hurejra.)

    [4] Mexhmual Fetava (26/305).

    [5] Buhariu (5547), Muslimi (1965).

    [6] Musanef Abdurrezak (4/388).

    [7] Tirmidhiu (1505), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të saktë.

    [8] Muslimi (1318).

    [9] Buhariu (881), Muslimi (850).

    [10] Buhariu e përmendi në Sahihin e tij Mualakan (7/100).

    [11] Buhariu (5564), Muslimi (1966).

    [12] Muslimi (1963).

    [13] El-Mugni (9/448).

    [14] Buhariu (968), Muslimi (1961).

    [15] Buhariu (965), Muslimi (1961).

    [16] Ebu Davudi (2802), Tirmidhiu (1497), dhe të tjerët, shejh Albani e vlerësoi si të saktë.

    [17] El-Mugni (3/472).

    [18] Ebu Davudi (2796), Tirmidhiu (1496), dhe të tjerët, shejh Albani e vlerësoi si të saktë.

    [19] Edh-Dhehira (4/155).

    [20] Muslimi (1977).

    [21] Gur gëlqeror që përdoret për ti larguar qimet e trupit (sh.p.).

    [22] Sherh Nevevij ala sahih Muslim (13/138).

    [23] Musanef Abdurrezak (8605).

    [24] Muslimi (1955)

    [25] Buhariu (1), Muslimi (1907).

    [26] Me emrin e Allahut, Allahu është më i madhi, O Allahu im kjo është nga Ti dhe për Ty, o Allahu im, pranoje këtë nga unë. (sh.p.).

    [27] O Allahu im pranoje këtë për filanin. (sh.p.).

    [28] Buhariu (1716), Muslimi (1317).

    [29] Buhariu (5569).

    [30] En-Nasih ue el-Mensuh (fq. 563.)

    [31]Ehlu Dhime janë jomyslimanët, që jetojnë në shtet islam dhe që janë të mbrojtur nga shteti islam, që e ruajnë besimin e tyre dhe janë të kënaqur me gjykimin e Islamit për ta dhe janë të detyruar që shtetit islam t’i paguajnë xhizje. (sh.p.)

    [32] Buhariu (5569), Muslimi (1974).

  • VEPRA TË MIRA ME RASTIN E DHJETË DITËVE TË DHULHIXHES

    VEPRA TË MIRA ME RASTIN E DHJETË DITËVE TË DHULHIXHES

    1. Namazi farz (i detyruar).
    2. Agjërimi vullnetar dhe agjërimi në ditën e Arafatit.

    3.Dhënia e sadakasë.

    1. Tehlili – shqiptimi i fjalës la ilahe il-lallah (nuk i takon askujt adhurimi me të drejtë, përveç Allahut).
    2. Tesbihi – shqiptimi i fjalës subhanallah (i Lartësuar qoftë Allahu).
    3. Tehmidi – shqiptimi i fjalës elhamdulilah (Falënderimi i takon Allahut).
    4. Tekbiri – shqiptimi i fjalës Allahu ekber (Allahu është më i Madhi).
    5. Shqiptimi i fjalës “la haule ue la kuvete il-la bilah” (nuk ka ndryshim e as forcë pa lejen dhe ndihmën e Allahut).
    6. Përsëritja e fjalëve të myezinit gjatë thirrjes së ezanit.
    7. Istigfari (kërkimfalja).
    8. Duaja.
    9. Dërgimi i salavateve për Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.
    10. Leximi i Kuranit.
    11. Meditimi dhe përsiatja e Kuranit.
    12. Nxënia përmendsh e Kuranit.
    13. Mësimi i Kuranit së bashku me dikë tjetër.
    14. Leximi i komentit të Kuranit.
    15. Të mësuarit e Kuranit të tjerëve, e në veçanti fëmijëve suren El-Fatiha.
    16. Pendimi dhe kthimi kah Allahu.
    17. Respektimi i prindërve.
    18. Respektimi i lidhjeve farefisnore.
    19. Mbajtja e lidhjeve me shokët e prindërve.
    20. Fisnikërimi i mysafirit.
    21. Përcjellja e mysafirit.
    22. Sjellja e mirë me fqinjët.
    23. Përhapja e selamit.
    24. Dhënia ushqim.
    25. Fjala e mirë.
    26. Falja e namazit të natës.
    27. Falja e suneteve revatib (të rregullta që falen para dhe pas farzit).
    28. Falja e namazit të Duhasë.
    29. Shqiptimi i dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes.
    30. Shqiptimi i dhikrit, që thuhet nëpër situata dhe gjendje të ndryshme.
    31. Fjetja me abdes.
    32. Guslli i xhumasë.
    33. Parfumosja për xhuma.
    34. Nisja më herët për në xhami për namazin e xhumasë.
    35. Afrimi afër imamit.
    36. Plotësimi i vendeve të zbrazëta.
    37. Plotësimi dhe rregullimi i safave.
    38. Buzëqeshja.
    39. Meditimi në shenjat e Allahut në kozmos.
    40. Përballimi i dhembjeve që t’i shkaktojnë myslimanët dhe durimi me ta.
    41. Sjellja e mirë me njerëzit.
    42. Butësia dhe mosngutja.
    43. Fytyrëqeshja.
    44. Përmbajtja e zemërimit dhe e hidhërimit.
    45. Realizimi i premtimit.
    46. Falja e namazit të pendimit (teubes).[1]
    47. Falja e dy rekateve pas marrjes së abdesit.
    48. Këshilla dhe udhëzime.
    49. Mësimi i të paditurit.
    50. Thirrja në të mirë.
    51. Ndalimi nga e keqja.
    52. Ndihma dhe mbështetja e atij që i është bërë padrejtësi.
    53. Ulja e shikimit.
    54. Vizita e vëllezërve myslimanë për hir të Allahut.
    55. Prezentimi në xhenaze (falja e namazit të të vdekurit dhe përcjellja e xhenazes).
    56. Ngushëllimi i familjes së të vdekurit.
    57. Vizita e të sëmurëve.
    58. Përgjigjja e ftesës së ftuesit.
    59. Ngushëllimi i të pikëlluarit.
    60. Pritja e namazit pas namazit.
    61. Prezentimi në mexhliset e dijes nëpër xhamia.
    62. Respektimi i dijetarëve.
    63. Kundërshtimi i dyshimeve.
    64. Përhapja e sunetit të Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.
    65. Dhënia e dhuratave.
    66. Përshëndetja e myslimanit për dore, duke kërkuar me të Fytyrën e Allahut.
    67. Respektimi i të moshuarve.
    68. Larja e borxhit.
    69. Dhënia borxh nevojtarit.
    70. Shtyrja e afatit të kthimit të borxhit atij, që ka vështirësi ta kthejë.
    71. Falja e borxhit ose lehtësimi i tij.
    72. Nxitimi në larjen e borxhit të atyre që nuk kanë mundësi t’i kthejnë borxhet si dhe larja e faturave të nevojtarëve.
    73. Ndërmjetësimi i drejtë dhe i mirë.
    74. Lehtësimi duke ia kthyer mallin e blerë atij, që e blen një mall dhe më pas dëshiron ta kthejë.
    75. Largimi i pengesave në rrugë.
    76. Toleranca në shitje dhe në blerje.
    77. Mbulimi i të metave të myslimanëve.
    78. Përkujdesja për jetimin.
    79. Përkujdesja për gratë e veja.
    80. Ndërtimi i xhamive.
    81. Udhëzimi për në hair dhe mirësi.
    82. Botimi i librave.
    83. Përhapja e dijes së dobishme nëpër rrjetet sociale dhe internet.
    84. Mësimi i tjetrit dhe dëgjimi i këshillave.
    85. Dhurimi i kafshës për të varfrin, që ta therë për kurban.
    86. Ndihma dhe lehtësimi i tjetrit për t’u martuar.
    87. Paqësimi në mes dy të armiqësuarve.
    88. Shoqërimi i njerëzve të mirë.
    89. Lënia e vakëfit.
    90. Kryerja e haxhit të pranuar.
    91. Dashuria për hir të Allahut.
    92. Falja.
    93. T’i ndihmosh një zanatliu ose t’ia mësosh një zanat një të padituri (i paditur e ka për qëllim atë që nuk ka asnjë zanat, që nga ai zanat të përfitojë), ta ushtrosh pa të holla ose t’ia mësosh punën.
    94. Futja e gëzimit në shpirtin e tjetrit.
    95. Dhënia ushqim të varfërve dhe të ngratëve.
    96. Fërkimi i kokës së jetimit.
    97. Përkujdesja për abdesin.
    98. Kujdesi për vajzat dhe motrat.
    99. Shpenzimi për gruan dhe fëmijët.
    100. Respektimi i burrit dhe nderimi i tij.
    101. Përkujdesja për shtëpinë (nga gruaja).
    102. Pastrimi i xhamive.
    103. T’u japësh ujë njerëzve.
    104. Mirënjohja dhe falënderimi i tjetrit për bamirësinë e bërë ndaj teje.
    105. Shpërblimi i atij, që të ka bërë mirë dhe lutja për të.
    106. Të qarët nga frika e Allahut.
    107. Të kërkosh nga Allahu, që të biesh dëshmor.
    108. Ulja bashkërisht për të ngrënë.
    109. Veshja e rrobave me ngjyrë të bardhë.
    110. Ngjyrosja e flokëve të thinjura (përveç ngjyrës së zezë, e cila nuk lejohet).
    111. Mbjellja e një peme me nijet të mirë.
    112. Kryerja e nevojave të myslimanëve.
    113. Kërkimfalja për myslimanët dhe myslimanet.
    114. Ruajtja e nderit të gruas.
    115. Llogaritja në shpërblimin e Allahut për bërjen e rukjes.
    116. Larja e xhenazes dhe qefinosja e saj, duke llogaritur në shpërblimin e Allahut.
    117. Përshpejtimi i iftarit.
    118. Vonimi i syfyrit.
    119. Përgëzimi i myslimanit për ndonjë begati.
    120. Të shkruarit e vasietit (testamentit) me të drejtë.
    121. Veshmbathja e myslimanit.
    122. Mbathja e këpucëve duke filluar me këmbën e djathtë.
    123. Zbathja e këpucëve duke filluar me këmbën e majtë.
    124. Pirja e ujit ulur.
    125. Rikujtimi i shehadetit (fjalës la ilahe il-lallah) atij që është në prag të vdekjes.
    126. Fillimi i çdo pune të hairit me emrin e Allahut (me Bismilah).
    127. Përkujdesja për ta përdorur misvakun.
    128. T’ia kthesh borxhin atij, që ia ke pasur borxh dhe ta shpërblesh për bamirësinë ndaj teje.[2]
    129. Falja e namazit të istihares.
    130. Sexhdeja e falënderimit.
    131. Ndryshimi i betimit për ndonjë dobi sheriatike, duke e shpaguar atë.
    132. Të ndihmuarit e familjes në shtëpi.
    133. Ecja për në xhami.
    134. Marrja e sutres për namaz.
    135. Zbukurimi i zërit gjatë leximit të Kuranit.
    136. Kërkimi i lejes për të hyrë brenda.
    137. Vendosja e dorës mbi gojë kur ndonjërit i hapet goja.
    138. Të ushqyerit e kafshëve për kurban dhe trashja e tyre.
    139. Qëndrimi në xhami pas faljes së namazit të sabahut e deri në lindjen e diellit.
    140. Dërgimi i kafshës për kurban në Meke, për atë që nuk shkon në haxh.
    141. Urdhërimi i familjes dhe i fëmijëve për ta falur namazin.
    142. Falja e dy rekateve, kur të hysh në shtëpi dhe dy rekate para se të dalësh nga shtëpia.
    143. Fërkimi i fytyrës me dorë, kur të ngrihemi nga gjumi për namaz nate dhe leximi i ajeteve të fundit të sures Ali Imran.
    144. Plotësimi i abdesit.
    145. Thënia e fjalës “Jerhamukallah” (Allahu të mëshiroftë), kur tjetri teshtin dhe thotë “Elhamdulilah” (Falënderimi i takon Allahut).
    146. Udhëzimi i nevojtarit duke ia treguar mënyrën se si të arrijë deri tek ajo që e kërkon.
    147. Shqiptimi i fjalës: “SubhaneMelikil-Kuddus” (I Lartësuar qoftë Allahu, Sunduesi, i Shenjti dhe i Pastri nga çdo e metë); tri herë pas namazit të vitrit (pasi të jepet selam).
    148. Bërja e gjumit me abdes.
    149. Shoqërimi i të vetmuarit.
    150. Strehimi i të huajit.
    151. Parfumosja e xhamive.
    152. Përkujdesja për familjen e haxhiut, derisa të jetë në haxhillëk, si dhe përkujdesja për familjarët e të burgosurve dhe të ngjashmit me ta.
    153. Shpërndarja dhe radhitja e Mus’hafave nëpër xhami.
    154. Përhapja e dijes nëpër faqe interneti, kanale televizive, satelitore dhe radio.
    155. Mbajtja e mësimeve, e ligjëratave dhe e seminareve shkencore.
    156. Falja e namazit të Kurban Bajramit.
    157. Huazimi i rrobave, arit për zbukurim, enëve, mjeteve elektronike dhe çdo gjëje të dobishme.
    158. Formimi dhe ngritja e shoqatave dhe e organizatave bamirëse.
    159. Marrja përsipër e harxhimeve të haxhiut.
    160. Shpenzimi për kërkuesit e dijes dhe përkujdesja për ta.
    161. Përgatitja e librave dhe e programeve për fëmijët e myslimanëve.
    162. Përcjellja e dijes me amanet: “Allahu ia ndriçoftë fytyrën atij që e dëgjon thënien time, e kupton atë, e mëson përmendsh dhe ua përcjell të tjerëve.”[3]
    163. Mbrojta e nderit të myslimanëve.
    164. Dëgjimi i Kuranit.
    165. Dhënia e shpërblimeve dhe nxitja e njerëzve për marrje të dijes dhe mirësi.
    166. Butësia dhe sjellja e mirë me fëmijët.
    167. Rikujtimi i të tjerëve në lidhje me afrimin e rasteve apo kohëve të hairit.
    168. Ruajtja e amaneteve dhe kthimi i tyre.
    169. Kurimi i të sëmurëve duke llogaritur në shpërblimin e Allahut.
    170. Bamirësia ndaj kafshëve dhe zogjve.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

     

    Dr. Muhamed Salih El-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Marrë nga libri Sezonet e adhurimit)

     

    [1]Namazi i pendimit është i ligjshëm dhe ka ardhur në sunet. Ebu Bekër Es-Sidiku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Nuk ka rob që bën mëkat, dhe më pas merr abdes si është më mirë dhe i fal dy rekate dhe kërkon falje nga Allahu, vetëm se Allahu t’ia fal atij. Më pas e lexoi ajetin: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Ali Imran: 153)”. Hadithin e shënon Ebu Davudi (1521), shejh Albani e vlerësoi të saktë në Sahih Ebu Davud. Për më tepër shih: https://islamqa.info/ar/98030 (sh.p.)

    [2]D.m.th. ia kthen borxhi dhe i jep diçka si dhuratë për bamirësinë ndaj teje, ndërsa, nëse ai që të jep borxh të kushtëzon që t’ia kthesh borxhin më tepër se sa t’i ka dhënë, kjo është kamatë dhe është e ndaluar, kurse nëse borxhliu nga vetja dëshiron ta shpërblejë pasi t’ia kthejë borxhin në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për bamirësinë ndaj tij, kjo lejohet. (sh.p).

     

    [3]Hadith, të cilin e përcjell Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe e shënojnë imam Tirmidhiu, Ibën Maxhe, Ahmedi, Ibën Hibani dhe të tjerët. (sh.p).

  • QARTËSIMI I TEUHIDIT TË ADHURIMIT NËPËRMJET RITEVE TË HAXHIT

    QARTËSIMI I TEUHIDIT TË ADHURIMIT NËPËRMJET RITEVE TË HAXHIT

    Frikojuni Allahut dhe dijeni se qëllimi i krijimit tuaj nuk është tjetër përpos adhurimi i Tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë”. (Edh-Dharijat: 56)

    Allahu me këtë mesazh i porositi të gjitha krijesat: O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun”. (El-Bekare: 21-22)

    Adhurimi pa teuhid (njësim) i përngjanë namazit pa abdesë. Sikurse papastërtia që e prish abdesin ashtu shirku i vepruar nga ana e robit e shkatërron teuhidin. Allahu, azze ue xhel, për këtë shkak i drejtohet krijesës më të dashur duke i thënë: “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit”. (Ez-Zumer: 65)

    Shirku (politeizmi) është arsyeja kryesore për mospranimin e veprave dhe adhurimeve, prandaj urdhri për adhurimin e Allahut shumë herë vjen i shoqëruar me ndalesën prej shirkut, sikurse në thënien e Allahut, azze ue xhel: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim)”. (En-Nisa: 36) Ky ishte edhe mesazhi i të gjithë Profetëve drejtuar popujve të tyre: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! “. (El-A’raf: 59)

    O robër të Allahut!

    Allahu na e detyroi Haxhin, prandaj le të përsiatim në të, manifestimin e teuhidit dhe largimin prej shirkut, që të mbetet shembull praktik që do ta përpilojmë në të gjitha adhurimet tona.

    Në rend të parë nëse përsiatim themelimin e Qabes do të vërejmë se ajo është themeluar mbi teuhid, siç na njofton edhe Allahu, azze ue xhel: “Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qaben) për ata që e vizitojnë, që rrijnë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur”. (El-Bekare: 125)

    Allahu i urdhëroi ata të dy që ta pastrojnë Qabenë prej të gjitha papastërtive, e posaçërisht prej shirkut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Në të vërtetë, idhujtarët janë të papastër (për shkak të besimit të kotë), prandaj të mos i afrohen më Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti”. (Et-Teube: 28); “Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur”. (El-Haxh: 26)

    Kjo shtëpi pra, është themeluar mbi teuhid dhe detyrohet të mbetet ashtu deri në Ditën e Kiametit, nuk lejohet që t’i afrohet asnjë jobesimtar (mushrik) ose të depërton ndonjë lloj i shirkut përreth saj. Prandaj Profeti, salallahu alejhi ue selem, kur e çliroi Mekën hyri në Qabe dhe përreth saj i gjeti treqind e gjashtëdhjetë idhuj të cilët filloi t’i shkatërron dhe të përsërisë ajetin: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket!”. (El-Isra: 81) Pastaj urdhëroi që të nxirren prej Qabes dhe të digjen, ndërsa Profeti, salallahu alejhi ue selem, hyri në brendësinë e saj dhe filloi t’i fshin vizatimet e pikturuara në mure duke u bazuar në fjalën e Allahut: “Dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur”. (El-Haxh: 26)

    Qabeja është Kibla e muslimanëve, në të kryhet Haxhi dhe Umreja, është vendtakim i zemrave dhe trupave të tyre, prandaj detyrohet të jetë burim i teuhidit (njësimit) dhe i besimit të pastër ku do të adhurohet Allahu me sinqeritet, dhe të largohet prej saj çdo lloj i idhujtarisë dhe risive. Prandaj edhe erdhi urdhri që të kryhet Haxhi dhe Umreja vetëm se për Allahun: “Kryeni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut!” (El-Bekare: 196)

    O robër të Allahut!

    Prej manifestimeve të teuhidit të adhurimit në Haxh është ngritja e zërave pas veshjes së Ihramit duke iu përgjigjur ftesës së Haxhit vetëm se për hir të Allahut, dhe duke e publikuar njësimin e Tij në falënderim, begati e sundim: “Lebbejke Allahume Lebbejk, Lebbejke La sherike Leke Lebbejk, innel-Hamde ven-ni’ëmete leke vel-Mulk La sherike Lek” (Të përgjigjem o Zot, Ti je i pashoq, vetëm Ty të përgjigjem, falënderimi të takon vetëm Ty. Të gjitha begatitë dhe i tërë sundimi të takon Ty, Ti je i pashoq).

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është përmendja e Allahut në ditën e Arafatit me lutjen: “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul Hamdu ve Huve ala kul-li shejin Kadir” (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).

    Profeti, salallahu alejhi ue selem, thoshte: “Lutja më e mirë është ajo e ditës së Arafatit, ndërsa fjala më e mirë që e kam thënë unë dhe Profetët para meje “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul Hamdu ve Huve ala kul-li shej’in Kadir” (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).

    Kjo lutje është kumtesë e njësimit të adhurimit në këtë shoqëri madhështore dhe në këtë ditë të bekuar, dhe preferohet të shqiptohet sa më shpesh me qëllim që haxhiu ta kupton thelbin e saj dhe të vepron sipas asaj çka e aludon ajo, që në fund t’i kryen ritet e Haxhit me sinqeritet dhe t’i largohet çdo llojit të shirkut e risive.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është Tavafi përreth Qabesë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë”. (El-Haxh: 29)

    Tavafi përreth Qabes është i veçantë për të dhe nuk lejohet veprimi i tij ndokund tjetër në gjithë rruzullin tokësor. Haxhiu prej këtu e kupton se Tavafi përreth varreve, druve, gurëve e tyrbeve, nuk është adhurim i lejuar nga Allahu, por është adhurim i urdhëruar nga shejtanët qofshin ata njerëz apo xhinë.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është madhërimi i Allahut me puthjen dhe fërkimin e Gurit të Zi. Haxhiu e puth atë gur me bindje të thellë se është prej riteve të Haxhit dhe se me këtë vepër i nënshtrohet Allahut dhe Profetit të Tij. Mu për këtë arsye Omeri ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur e puthi Gurin e Zi tha: “Pasha Allahun, unë e di se ti je gur, nuk bën dobi e as dëm, dhe mos ta kisha parë Profetin, salallahu alejhi ue selem, duke të puthur asnjëherë nuk do të puthja”,

    Muslimani prej kësaj vepre e kupton se nuk lejohet puthja dhe fërkimi për bereqet të asnjë objekti apo guri, duke e përjashtuar këtu puthjen dhe fërkimin e Gurit të zi për arsye se kjo është prej riteve të Haxhit, ndërsa puthja dhe fërkimi i varreve, tyrbeve e druve për bereqet është prej veprave që e kundërshtojnë fenë e Allahut dhe nuk janë prej riteve të Tij.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është që haxhiu pasi ta kryen Tavafin t’i fal dy rekate pas Mekami Ibrahim duke u bazuar në thënien e Allahut, azze ue xhel,: “Kujtoni kur Ne e bëmë Qaben vendgrumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vend faljeje!”. (El-Bekare: 125)

    Preferohet që në rekatin e parë pas Fatihas të lexon suren el Kafirun, ndërsa në të dytin suren el Ihlas. Urtësia e leximit të këtyre dy sureve qëndron në faktin se ato në vete përmbajnë njësimin e Allahut me njohje dhe pohim (teuhid rububije) dhe njësimin e Allahut me adhurim (teuhid uluhije). Surja e parë përmban mospranimin e fesë së mushrikëve dhe njësimin e Allahut me adhurim, ndërsa surja e dytë përmban njësimin e Allahut me cilësitë e përkryera dhe dëlirjen e Tij prej cilësive të mangëta.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është saji (ecja) mes kodrinave të Safës dhe Meruas duke u bazuar në thënien e Allahut, azze ue xhel: “Kodrinat Safa dhe Merua (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s’ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre. Kush bën vepra të mira vullnetare, ta dijë se Allahu është njëmend Falënderues dhe i Gjithëdijshëm”. (El-Bekare: 158)

    Prej këtij riti të Haxhit muslimani mëson se saji nuk kryhet në vend tjetër përveç se në Safa dhe Merua, për arsye se këto janë rite të Haxhit, ndërsa saji i kryer në ndonjë vend tjetër është mashtrim i shejtanit dhe nuk është adhurim i Allahut.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është ajo çka e ligjësoi Allahu në ditën e Bajramit dhe në ditët e caktuara (të Teshrikut) prej përmendjes së Tij: “Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut)”. (El-Bekare: 203)

    Përmendja e Allahut në këto ditë qartësohet në veprat e mëdha që kryhen gjatë atyre ditëve duke filluar prej qëndrimit në Mina, pastaj gjuajtjes së gurëve, prerjes së Kurbanit, faljes së pesë kohërave të namazit në atë vend të bekuar dhe në ato ditë të bekuara. Muslimani kur i gjuan gurët thotë “Allahu Ekber (Allahu është më i madhi)”, e kjo është përmendje e Allahut, po ashtu kur e ther Kurbanin e përmend Allahun, ashtu siç na njofton Allahu në Kur’an: “Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim”. (El-Haxh: 34)

    Allahu, azze ue xhel, po ashtu thotë: “Devetë dhe gjedhët i kemi bërë për ju si një nga ritet e Allahut për flijim dhe ju keni dobi nga ato. Prandaj, përmendeni emrin e Allahut mbi ato, ndërsa i radhisni në këmbë (për t’i therur). Kur ato të bien në tokë, hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp. Kështu pra, Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të jeni mirënjohës. Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj, që ju ta madhëroni Allahun sepse ju ka udhëzuar. Dhe, jepu lajmin e mirë, punëdrejtëve!” (El-Haxh: 36-37)

    Muslimani prej këtyre ajeteve kupton se therja e Kurbanit është adhurim dhe se therja e saj nuk lejohet t’i kushtohet dikujt tjetër veç Allahut, se kjo është shirk.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është se Allahu i ka porositur haxhilerët që ta përmendin Atë shumë gjatë kryerjes së riteve të Allahut dhe pas përfundimit të saj. I ndaloi prej përmendjes së parive dhe njerëzve të mëdhenj me ndikim, të gjallë apo të vdekur, dhe i porositi që të mos krenohen me fise dhe gjenezë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur! Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër. Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)” Këtyre do t’u jepet shpërblim për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari. Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut). Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut. Ta keni frikë Allahun e ta dini mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni!” (El-Bekare: 198-203)

    Haxhi pra, nuk qenka thjesht një udhëtim vëzhgues e turistik dhe manifestim i riteve, por është përvojë dhe mësim praktik për besimin e pastër dhe largimin e besimeve të kota të kohës së injorancës.

     O ju që Allahu jua mundësoi ta kryeni Haxhin, e mësuat prej riteve të tij besimin e pastër dhe i vërejtët të tjerët qofshin prej vendit të juaj apo prej ndonjë vendi tjetër se kanë gabime që bien ndesh me besimin e pastër, mësojuani atyre besimin dhe përmirësoni gabimet e tyre për arsye se detyra e dijetarit është mësimi i të paditurit dhe mos harroni se ju jeni përgjegjës para Allahut i cili thotë: “Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut”. (Et-Teube: 122); “Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit”. (Ali Imran: 104)

    Besimtari pra, së pari shpreson në përmirësimin e vetes e pastaj në përmirësimin e të tjerëve. Profeti, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk ka besuar ndonjëri prej jush deri sa nuk e do për vëllain e tij musliman atë çka e donë për vetvete”.

    O robër të Allahut!

    Frikojuni Allahut, kujdesuni për fenë e juaj në përgjithësi dhe për besimin tuaj në veçanti, për shkak se ajo është baza dhe themeli. Kjo fe është e ndërtuar mbi dy parime: sinqeritetin në adhurim dhe pasimin e Profetit, salallahu alejhi ue selem, dhe këto dy parime nuk mund të njihen përveç se me përsiatje të Kur’anit dhe Sunetit dhe me pasimin e tyre.

    Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

  • DISA VEÇORI TË HAXHIT DHE KUSHTET E TIJ

    DISA VEÇORI TË HAXHIT DHE KUSHTET E TIJ

    Haxhi është një prej shtyllave të Islamit dhe bazament i tij i fortë. Allahu, azze ue xhel, thotë: Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt; dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd”. (Ali Imran: 96-97)

    Prej kuptimit të ajetit dijetarët kanë konstatuar se Haxhi është detyrim për çdo musliman dhe ai i cili e mohon këtë dispozitë është qafir me unanimitet të dijetarëve. Allahu, azze ue xhel, i drejtohet të dashurit të Tij Ibrahimit, alejhi selam, duke i thënë: “Thirri njerëzit për haxhillëk”. (El-Haxh: 27)

    Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Islami është i ngritur mbi pesë bazamente: Dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në Haxh, për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën”.

    Qëllimi i thënies “për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën”, është: kush ka ushqim të mjaftueshëm të merr me vete dhe t’i le familjes derisa të kthehet dhe të posedojë mjet transporti i cili do ta çojë deri në Qabe dhe do ta kthejë deri në vatanin e tij.

    Në ligjësimin e Haxhit gjejmë urtësi, dhe urtësinë e ligjësimit të saj na e qartëson Allahu, azze ue xhel, ku thotë: “Që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër! Pastaj, haxhinjtë le të pastrojnë trupin e tyre, le t’i kryejnë zotimet e tyre dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë”. (El-Haxh: 27-29)

    Dobia e Haxhit pra, i kthehet vetëm haxhiut e jo Allahut, azze ue xhel, për shkak se: “Allahu nuk ka nevojë për askënd”. (Ali Imran: 97) Ai nuk është nevojtarë për haxhilerë, por ata kanë nevojë për Atë.

    Urtësia e vonimit të detyrimit të Haxhit krahas namazit, zeqatit dhe agjërimit qëndron në faktin se namazi është shtylla e fesë e cila përsëritet çdo ditë e natë nga pesë herë, zeqati është shtyllë e cila përmendet shumë herë si shok i pa ndashëm i namazit, ndërsa agjërimi për shkak se përsëritet çdo vit. Haxhi është bërë i obliguar në Islam në vitin e nëntë sipas hixhretit, kurse Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, nuk e ka kryer Haxhin më shumë se një herë edhe atë në vitin e dhjetë sipas hixhretit, ndërsa gjatë jetës së tij i ka kryer katër Umre.

    Synimi i Haxhit dhe Umres është adhurimi i Allahut në ato vende ku i ka caktuar që të adhurohet. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Qëllimi i gjuajtjes së gurëve dhe sajit mes Safës dhe Merues nuk është tjetër veç se të përmendet Allahu, azze ue xhel”. 

    Haxhi pra, është obligim me unanimitet të muslimanëve dhe shtyllë prej shtyllave të Islamit. Është detyrim individual një herë në jetë për atë që ka mundësi dhe detyrim kolektiv i muslimanëve për çdo vit, ndërsa ai i cili shton më shumë se Haxhin e detyruar i llogaritet si vullnetar.

    Umreja po ashtu është obligative sipas mendimit të shumë dijetarëve dhe si argument e marrin hadithin e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, kur është pyetur se a ka xhihad për gratë? Përgjigjja e tij ka qenë: “Po, për gratë ka xhihad, mirëpo pa luftë: Haxhi dhe Umreja”.

    Pasi që është vërtetuar se Umreja për gratë është obligative, atëherë kjo dispozitë për burrat është edhe më e kërkuar. Një njeri e pyeti Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, për babanë e tij i cili ishte plak e i lodhur dhe nuk kishte mundësi të shkojë në Haxh e as në Umre. Përgjigjja e tij ishte: “Kryeje Haxhin dhe Umren në vend të tij”.

    Haxhi dhe Umreja janë detyrim i çdo muslimani një herë në jetë dhe duhet të shpejtojë në kryerjen e tyre sipas mundësive, ndërsa çdo vonesë pa arsye është mëkat. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thuhet të ketë thënë: “O ju njerëz, ju është bërë Haxhi obligim, prandaj kryeni”. – E pyeti njëri prej të pranishmëve: A çdo vit? – U përgjigj: “Po të kisha thënë se po, atëherë do t’ju bëhej obligim për çdo vit e ju nuk do të kishit mundësi ta përballoni”.

    Imam Ahmedi shënon një hadith ku Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Përshpejtoni në kryerjen e Haxhit se asnjëri prej jush nuk e din se çka do t’i ndodh në të ardhmen”.

    Kushtet e Haxhit janë pesë: Islami, mendja e shëndoshë, pjekuria, liria dhe mundësia. Kur plotësohen këto kushte obligohet përshpejtimi i kryerjes së tij.

    Haxhi dhe Umreja të bëra nga ana e fëmijës janë të pranuara mirëpo si vullnetare. Ibën Abasi, radijallahu anhu, na përcjell se një grua e ngriti fëmijën e saj dhe ia tregoi Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, dhe i tha: Për këtë fëmijë a ka Haxh? Iu përgjigj. “Po, Haxhi i tij është i pranuar (si vullnetar) dhe ti ke shpërblim”.

    Në mesin e dijetarëve ka unanimitet se Haxhi i fëmijës i kryer para moshës madhore nuk e zëvendëson Haxhin e obliguar (Haxhin e Islamit), por detyrohet që kur ta arrijë moshën madhore ta kryej edhe një herë në rast se ka mundësi. Kur fëmija është në moshën e papjekurisë, përgjegjësi i tij detyrohet që ta bën nijetin në vend të tij, gjatë kryerjes së tavafit dhe sajit dhe gjatë qëndrimit në Mina, Arafat dhe Muzdelife duhet ta shoqërojë, gurët t’i gjuajë në vend të tij dhe ta largojë prej të gjitha ndalesave të Haxhit. Në rast se fëmija është në moshën e pjekurisë nijetin e Haxhit e bën vet me lejen e përgjegjësit, ritet e Haxhit i kryen vet ndërsa ato rite të cilat nuk ka mundësi t’i kryej vet i kryen përgjegjësi i tij dhe detyrohet t’i largohet të gjitha ndalesave të Haxhit sikurse i moshuari.

    I aftë për kryerjen e Haxhit është ai i cili ka mundësi fizike e materiale, i përballon rrugës dhe mjetit të udhëtimit, i mjaftojnë të hollat gjatë shkuarjes dhe kthimit, po ashtu ka pasuri të mjaftueshme për anëtarët e familjes derisa të kthehet, rruga deri në Haxh është e sigurt për jetën dhe pasurinë e tij dhe nuk duhet të niset pa i larë borxhet (ose të merr leje prej borxhliut që të shkoj në Haxh) dhe të kërkon falje prej atyre që u ka bërë padrejtësi. Në rast se ka pasuri mirëpo fizikisht është i dobët për shkak pleqërisë apo sëmundjes prej të cilës nuk shpresohet shërim, detyrohet që ta dërgoj ndokënd që ta kryen Haxhin në vend të tij qoftë prej të njëjtit vend apo ndonjë vendi tjetër. Ibën Abasi, radijallahu anhu, na përcjell se një grua e pyeti Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, se babai i saj është plak i cili nuk e ka kryer Haxhin e detyruar dhe nuk mund t’i përballoj udhëtimit, a mund që ta kryej Haxhin në vend të tij? – Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, iu përgjigj: “Kryeje Haxhin në vend të tij”.

    Kusht për atë që e kryen Haxhin për ndonjë tjetër është ai ta ketë kryer Haxhin e Islamit për vete, duke u bazuar në atë që na e përcjell Ibën Abasi, radijallahu anhu, se ai e kishte dëgjuar një njeri të ketë thënë: “O Zot, i përgjigjëm ftesës Tënde për në Haxh në vend të Shubrimes”. – Ibën Abasi i tha: “A e kryer Haxhin për vete”? – Iu përgjigj: “Jo, nuk e kam kryer Haxhin e Islamit për vete”. – Ibën Abasi i tha: “Atëherë bëje së pari për vete e pastaj mundesh që ta bësh për ndonjë tjetër”.

    Zëvendësuesit (bedelit) duhet t’i jepen të holla për rrugë, për ushqim dhe për nevojat tjera që i nevojiten gjatë Haxhit, nuk lejohet qiraja për Haxh dhe nuk lejohet ta merr Haxhin si mjet për përfitim të hollave. Synimi i zëvendësuesit duhet të jetë dobia e atij vëllait musliman që e kryen Haxhin për të, pastaj vizita e vendeve të shenjta, vizita e Qabesë, kështu që Haxhi duhet të kryhet vetëm për Allah e jo për dynja. Nëse Haxhin e kryen për të holla, Haxhi i tij nuk është i pranuar dhe po ashtu nuk i pranohet edhe atij i cili e ka dërguar për në Haxh. Prandaj duhet te kemi kujdes se kë e dërgojmë si zëvendësim në Haxh, për shkak se Haxhi është adhurim ndërsa adhurimet nuk kryhen vetëm se për Allah.

    Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

  • PËRGATITJA PËR HAXH

    PËRGATITJA PËR HAXH

    Frikojuni Allahut me frikërespekt të vërtetë, adhuroni Atë me përkushtim të sinqertë duke qenë në fenë e pastër, faleni namazin jepeni zeqatin se kjo është feja e drejtë.

    Këto ditë të bekuara muslimanët përgatiten për udhëtim kah Qabja për ta kryer Haxhin, disa prej tyre Haxhin e detyruar (Haxhin e Islamit) e disa prej tyre Haxhin vullnetar. Pa dyshim se ky udhëtim i gjatë disa ditësh kërkon prej haxhiut përgatitje materiale, fizike e shpirtërore, me qëllim që kjo pajisje t’i mjaftojë gjatë kohës së Haxhit dhe mos të varet prej të tjerëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria”. (El-Bekare: 197)

    Allahu, azze ue xhel, na urdhëroi me pajisje të mjaftueshme e cila përbëhet prej marrjes së ushqimit të mjaftueshëm me vete, lënia e ushqimit të mjaftueshëm për familjen derisa të kthehemi dhe posedimi i mjetit të transportit i cili na çon deri në Qabe dhe na kthen deri në vatanin tanë. Allahu, azze ue xhel, thotë: Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është detyrim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo”. (Ali Imran: 97)

     Më herët disa prej haxhilerëve kur niseshin për në Haxh nuk pajiseshin me mjetet e duhura që u nevojiteshin, kështu që rrugës jetonin në kurriz të të tjerëve duke u bërë barrë e parazit i tyre. Prandaj Allahu i ndaloi prej kësaj vepre dhe i urdhëroi ata që të pajisen me aq sa u mjafton që t’i largohen varësisë prej të tjerëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur! “. (El-Bekare: 197)

    Kur njerëzit paragjykonin se tregtia dhe përfitimet në sezonin e Haxhit janë të ndaluara Allahu, azze ue xhel, e zbriti ajetin: Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit). (El-Bekare: 198)

    Allahu në dy ajetet e lartpërmendura na bëri me dije se haxhiu duhet t’i merr dy llojet e furnizimeve, atë të udhëtimit për dunja me ushqim e me pije të mjaftueshme deri në fund të udhëtimit, atë të udhëtimit për ahiret duke vepruar vepra të mira dhe duke u larguar prej mëkateve. Allahu pastaj na e bëri me dije se tregtia dhe kërkimi i rrëskut të lejuar nuk bie ndesh me Haxhin dhe ritet e tij, në rast se ajo tregti nuk e preokupon dhe e largon haxhiun prej veprimit të adhurimeve. Kjo aspak nuk bie ndesh edhe me mbështetjen në Allahun (tevekulin), dhe nuk duhet harruar faktin se haxhiu është i detyruar që kur të niset për në Haxh t’i le familjes furnizim të mjaftueshëm derisa të kthehet dhe nuk lejohet që t’i le pa furnizim ose t’ua pakësojë atyre furnizimin për ta kryer Haxhin e tij. Në këtë rast haxhiu nuk ka shpërblim, por ka mëkat. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Mjafton si mëkat për dikë, nëse dëmton ata që duhet t’i ushqejë”.

    Haxhiu po ashtu duhet t’i pastrojë borxhet e tij që ua ka njerëzve. Në rast se nuk ka pasuri të mjaftueshme për shpenzimet e Haxhit dhe larjes së borxheve, i jepet përparësi larjes së borxheve dhe nuk lejohet që të shkojë në Haxh.

    Haxhiu po ashtu gjatë Haxhit duhet të shpenzojë pasurinë e tij të fituar hallall, që Haxhi i tij të pranohet dhe mëkatet t’i falen. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Vërtet Allahu është i mirë dhe nuk pranon përveç të mirës dhe vërtet Allahu u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve. Allahu, azze ue xhel, ka thënë: O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira! Vërtet, Unë e di mirë çfarë bëni ju!”. Dhe ka thënë: “O ju besimdrejtë, hani gjërat e mira me të cilat u kemi furnizuar”. Pastaj e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura, dhe i cili i shtriu duart e tij kah qielli: O Zot, o Zot! Kurse ushqimi i tij është haram, dhe pija e tij haram, dhe veshmbathja e tij haram, dhe është ushqyer me haram. E si do t’i pranohet lutja e tij!”

    Pasuria e shpenzuar për në Haxh në rast se është e fituar në mënyrë të lejuar atëherë bën pjesë në pasurinë që shpenzohet për në rrugë të Allahut. Allahu, azze ue xhel, thotë: Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira, Allahu me të vërtetë i do bamirësit”. (El-Bekare: 195) Një prej sahabëve e dhuroi devenë e tij për në rrugë të Allahut dhe një grua kur deshi ta përdor po të njëjtën deve për udhëtim për në Haxh i tha Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem:”Përdore atë për në Haxh, se Haxhi bën pjesë në rrugë të Allahut”.

    Një grup dijetarësh u argumentuan me këtë hadith se ai i cili nuk e ka kryer Haxhin e detyruar i lejohet që të merr prej të hollave të zeqatit dhe ta kryen këtë shtyllë të Islamit, se ai bën pjesë në grupin e atyre që u jepet zeqati: për (luftëtarët) në rrugë të Allahut”. (Et-Teube: 60)

    Haxhiu po ashtu detyrohet që të pendohet me sinqeritet prej të gjitha mëkateve, në rast se ka bërë padrejtësi kundrejt njerëzve të kërkojë falje prej tyre dhe t’ua kthejë hakun që ua ka marrë padrejtësisht. Po ashtu detyrohet që t’u largohet mëkateve dhe gjynaheve, të kujdeset për faljen e namazeve, t’i kryen të gjitha detyrimet dhe ta merr rrugën drejt shtëpisë së Allahut i penduar dhe i pastër prej padrejtësive ndaj robërve të Allahut. Haxhiu pra, nuk duhet që të hyjë në shtëpinë e Allahut i njollosur me mëkate ose t’i veprojë ato gjatë kohës së Haxhit. Allahu, azze ue xhel, thotë: Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje”. (El-Bekare: 197)

     Përcillet se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush kryen haxhin për Allahun dhe nuk kryen marrëdhënie seksuale (gjatë kohës sa është në Ihram) dhe nuk shkel dispozitat, kthehet nga Haxhi i pastër prej mëkateve sikur atë ditë kur e ka lindur nëna”. Kjo për haxhiun hap një faqe të re të jetës së tij, të pastër nga mëkatet dhe gjynahet.

    Haxhi konsiderohet i pranuar me bashkimin e dy çështjeve në të:

    Çështja e parë: Ardhja e njerëzve në Haxh me punë të mira, siç janë bamirësia ndaj njerëzve dhe sjellja e mirë. Kur u pyet Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, për bamirësinë, u përgjigj: “Bamirësia është moral i mirë”. Thuhet se udhëtimi e ka marr këtë emër për shkak se e zbulon dhe shpalos moralin e njerëzve.

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, në Musnedin e tij shënon një hadith prej Xhabir ibën Abdullahut, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit”. – Të pranishmit pyetën: Çka është bamirësia e Haxhit, o i Dërguar i Allahut? – U përgjigj: “Dhënia ushqim nevojtarit dhe përhapja e selamit”.

    Është pyetur Seid ibën Xhubejri, radijallahu anhu, se cili haxhi është më i miri? – Përgjigjja e tij ishte: “Ai i cili i ushqen të varfrit dhe e ndal gjuhën e tij prej mëkateve”.

    Në përgjithësi, njerëzit më të mirë janë ata të cilët i bëjnë dobi të tjerëve dhe bëjnë durim prej torturave të tyre, ashtu si i përshkroi Allahu të devotshmit në Kur’an: Të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit”. (Ali Imran: 134)

     Çështja e dytë: Një ndër veprimet më të mëdha të mirësisë në Haxh, është përmendja e shumtë e Allahut, azze ue xhel. Allahu urdhëroi në përmendjen e Tij të shumtë gjatë kryerjes së riteve të Haxhit, veçanërisht kur haxhiu është në gjendje të Ihramit, për shkak se pajisja më e mirë është ajo e devotshmërisë e cila i përmbledh në vete të gjitha karakteristikat e mirësisë.

    Haxhiu detyrohet që nijetin ta ketë të sinqertë për Allahun, synimi i tij prej Haxhit mos të jetë fitimi i autoritetit para njerëzve dhe në ambiciet e tij prej Haxhi mos të ketë aspiratë prej aspiratave të dynjasë. Allahu, azze ue xhel, thotë: Kryeni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut!” (El-Bekare: 196)

    Haxhiu para se të udhëtojë duhet që t’i shkruajë porositë e amanetet, borxhet e tij dhe ato që i kanë borxh atij, për shkak se rruga është e gjatë dhe nuk dihet se çka mund të ndodh gjatë kohës së Haxhit, prandaj në rast se nuk kthehet i gjallë apo kthehet me vonesë, porositë i kryen familja e tij dhe i largohet faji atij.

    O robër të Allahut!

    Frikojuni Allahut dhe përgatituni për në Haxh ashtu si i ka hije. Plotësoni ritet e juaja, pastroni nijetin, bëhuni modest, silluni mirë me vëllezërit e juaj haxhilerë, mos i torturoni, mos i ofendoni dhe bëhuni të durueshëm në të gjitha vështirësitë e lodhjet e Haxhit, për shkak se Haxhi është prej xhihadit ndërsa xhihad pa mundime e lodhje nuk ka.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!”. (El-Bekare: 197)

    O muslimanë!

    Frikojuni Allahut dhe mos e ndërtoni fenë tuaj në një anë duke e shkatërruar anën tjetër. Disa njerëz Haxhit dhe Umres i kushtojnë rëndësi të veçantë e në anën tjetër i anashkalojnë shtyllat e tjera të Islamit. Aspak nuk kujdesen për përmirësimin e besimit i cili është bazament i fesë, prandaj i sheh se si i drejtohen me lutje të vdekurve dhe afrohen kah ata me lloje të ndryshme të adhurimeve ose e anashkalojnë faljen e namazit e cila është shtyllë e fesë ndërsa braktisja e saj është kufër dhe dalje prej fesë. Po ashtu nuk kujdesen për dhënien e zeqatit e cila është shtylla e tretë e Islamit, nuk e agjërojnë Ramazanin i cili u detyrua prej anës së Allahut për besimtarët dhe këtij lloji të njerëzve nuk i pranohet Haxhi e as Umreja, derisa nuk kujdesen për shtyllat e tjera të Islamit. Feja pra, nuk është vetëm se Haxh, Haxhi është pjesë e fesë dhe shtyllë prej shtyllave të Islamit.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “A e besoni një pjesë të librit, e tjetrën e mohoni. Si mund të jetë ndëshkimi ndaj atij që punon ashtu prej jush, pos poshtërim në jetën e kësaj bote, e në Ditën e Gjykimit ata hidhen në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju. Të tillë janë ata që e vlerësuan jetën e kësaj bote mbi botën tjetër, andaj atyre as nuk do t’u lehtësohet dënimi, e as që do të ndihmohen ata”. (El-Bekare: 85-86)

    Pas kryerjes së Haxhit, haxhiu detyrohet të përqendrohet në fe, t’i largohet mëkateve, të bëj vepra të mira, sepse se veprat shpërblehen sipas përfundimit. Dera e pendimit është e hapur derisa nuk vjen exheli, ndërsa ardhja e tij pritet çdo moment dhe nuk e di askush se ku dhe kur do të vdesë: “Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë”. (Lukman: 34)

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • IBADETET E MUAJIT DHULHIXHE

    IBADETET E MUAJIT DHULHIXHE

    O muslimanë!

    Frikojuni Allahut, mos harroni se jeni duke jetuar në një botë kalimtare ku statusi i juaj në të është ai i mysafirit dhe se tek Allahu është kthimi i vërtetë. Tani jemi në prag të muajit Dhul Hixhe, muaj madhështor i cili në vete përmban shumë begati e merita dhe adhurime të llojllojshme. Dhjetë ditët e para të këtij muaji Allahu i theksoi në Kur’an duke thënë: Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhe)! (El-Fexhr: 1-2)

    Imam Buhari, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: Nuk ka vepër më të vlerësuar dhe me sevap më të madh, sesa një vepër e mirë që bëhet gjatë dhjetë ditëve të Dhul Hixhes”. Dikush e pyeti: “As pjesëmarrja në xhihad?!” Profeti, salallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “As pjesëmarrja në xhihad, përveç një burri i cili del me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën”.

    Në një transmetim tjetër: Nuk ka ditë ku veprat e mira janë më të dashura tek Zoti, sesa këto dhjetë ditë”. Shokët e tij, të çuditur e pyetën: “Edhe se pjesëmarrja në xhihad, o i Dërguar i Allahut?!” Profeti, salallahu alejhi ue selem, ua ktheu: “Përveç një burri i cili ka dalë me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën”.

    Këto dy hadithe, janë tregues se dhjetë ditët e Dhul Hixhes, janë ditët më të mira të vitit pa përjashtim, madje janë më të mira edhe se dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Por, dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më të mira, pasi në to gjendet nata e Kadrit e cila është më e mirë se njëmijë muaj. Kështu, kuptohen më mirë hadithet dhe vlerat e secilit sezon.

    Po ashtu hadithet na mësojnë se veprat që kryhen në dhjetë ditët e para të këtij muaji janë më të dashura tek Allahu se sa veprat e ditëve të tjera të çdo muaji, dhe se këto ditë janë më të mira se lufta në rrugë të Allahut, duke e bërë përjashtim këtu luftën në të cilën burri del me veten dhe me pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën. I vetmi ky lloj i luftës në rrugë të Allahut është më me vlerë se sa dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixhe.

    Allahu në këto ditë e preferoi agjërimin duke e përjashtuar këtu ditën e dhjetë, për shkak se ajo është dita e Kurban Bajramit. Hafsa, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, katër gjëra nuk i linte kurrë: “Agjërimin e Ashuras (ditës së dhjetë të Muharremit), agjërimin në dhjetë ditët e Dhul Hixhes, agjërimin e tri ditëve të çdo muaji dhe faljen e dy rekateve para sabahut”.

    Në këto ditë po ashtu preferohet shpeshtimi i përmendjes së Allahut, falënderimi i Tij, madhërimi i Tij dhe është mirë që të ngritët zëri gjatë përmendjes së Allahut nëpër tregje . Allahu, azze ue xhel, thotë: “të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara.” (El-Haxh: 28)

    Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon prej Ibën Omerit dhe Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se ata dy dilnin në tregje, e madhëronin Allahun me tekbire dhe njerëzit e madhëronin se bashku me ta.

    Tekbiret janë Sunet të thuhen gjatë tërë ditëve të dhjetëditëshit të parë të Dhul Hixhes dhe ditëve të bajrameve, në çdo kohë. Kurse në mëngjesin e ditës së Arafatit, pas namazit të sabahut e deri në ditën e katërt të Bajramit pas ikindisë është sunet pas çdo namazi t’i këndojmë tekbiret pas namazeve të detyruara (farze). Forma e tekbireve është: “Allahu Ekber, Allahu Ekber, la ilahe il-lAllahu uallahu Ekber. Allahu Ekber ue lilahil hamd”.

    Pasi që secili njeri nuk mundet të shkojë në Haxh, Allahu ia zëvendësoi robit Haxhin me këto ditë të bekuara e të vlefshme, dhe e mësoi se veprimi i punëve të mira në to ia tejkalon në shpërblim edhe luftës në rrugë të Allahut. Në këto ditë bie dita e Arafatit e cila është dita më e mirë. Ibën Hibani, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Xhabirit, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Dita më e mirë është dita e Arafatit”. Agjërimi i kësaj dite është shkak për faljen e mëkateve të vogla të vitit të kaluar dhe atij që e pason. Është pyetur Profeti, salallahu alejhi ue selem, për agjërimin e ditës së Arafatit dhe ka thënë: Agjërimi i ditës së Arafatit i shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm”. Po ashtu thoshte, salallahu alejhi ue selem: “Për agjërimin e ditës së Arafatit shpresoj që Allahu të mi falë mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm.”

    Kjo ditë pëlqehet të agjërohet nga ai i cili nuk është në Haxh, ndërsa haxhiu nuk duhet ta agjërojë për arsye se atë ditë duhet të jetë i fortë që ta adhurojë Allahun më tepër, ta përmend më tepër, të lutet më tepër, se ajo ditë është ditë e faljes së gjynaheve dhe lirim prej zjarri. Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, e përcjell një hadith prej Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë që lirohen më së shumti nga zjarri i Xhehenemit se dita e Arafatit, Allahu u afrohet atyre, pastaj lavdërohet me ata para melaqeve dhe thotë: “Çfarë dëshirojnë ata?!”

    Ibën Abdulberri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kjo aludon se ata janë të falur nga mëkatet, për shkak se Allahu nuk lavdërohet me gabimtarët dhe mëkatarët, përveç pas pendimit dhe faljes”.

    Gjithashtu, Ibën Hibani, Allahu e mëshiroftë, transmeton se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë që është më me vlerë tek Allahu se dita e Arafatit. Allahu i Lartësuar zbret në qiellin e kësaj bote dhe lavdërohet me banorët e tokës ndaj banorëve të qiellit”. Kurse në një transmetim tjetër thuhet: “Allahu i Lartësuar lavdërohet me ata që qëndrojnë në Arafat tek engjëjt dhe thotë: “O melaqet e Mia, shikoni robërit e Mi, më kanë ardhur të pakrehur, të pluhurosur (nga rruga) dhe duke sakrifikuar”.

    Profeti, salallahu alejhi ue selem, thoshte: “Lutja më e mirë është ajo e ditës së Arafatit, ndërsa fjala më e mirë që e kam thënë unë dhe Profetët para meje “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul Hamdu ve Huve ala kul-li shej’in Kadir” (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).

    Në këtë muaj të begatshëm bie edhe dita e Kurban Bajramit, e cila njihet edhe si dita e Haxhit të Madh. Në këtë ditë haxhilerët e plotësojnë Haxhin e tyre, pasi që qëndruan në Arafat, i therin kurbanët, i gjuajnë gurët, i rruajnë ose i shkurtojnë flokët, e kryejnë Tavafin në Qabe, ecin mes Safës dhe Meruas, ndërsa muslimanët anekënd botës e falin namazin e Bajramit dhe e përmendin Allahun.

    Në këtë muaj të begatshëm bien edhe ditët e ashtuquajtura “të caktuara”, të cilat janë ditët e qëndrimit në Mina. Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, e përcjell një hadith prej Profetit, salallahu alejhi ue selem, i cili ka thënë: “Ditët e qëndrimit në Mina janë ditë të ngrënies, pirjes dhe përmendjes së Allahut”.

    Këto ditë janë ditët e numëruara, të caktuara, të cilat i thekson Allahu në Kur’an: “Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut)”. (El-Bekare: 203)

    Këto tre ditë janë pas ditës së Bajramit, preferohet në to përmendja e Allahut, duke filluar prej tekbireve të caktuara pas çdo namazit të detyruar, pastaj përmendja dhe madhërimi i Allahut gjatë prerjes së Kurbanit, gjatë gjuajtjes së gurëve, gjatë ngrënies dhe pirjes, e kështu me radhë.

    Në përgjithësi muaji i Dhul Hixhes është muaj i adhurimeve të llojllojshme, muaj i begative të ndryshme, është muaj prej muajve të Haxhit ku ndalohen luftërat dhe në këtë muaj kryhet Haxhi në Qabe.

    Prandaj, o muslimanë, falënderoni Allahun për këtë begati të madhe, shfrytëzoni mirësitë e saj dhe mos u bëni prej të shkujdesurve.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur! Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër. Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)” Këtyre do t’u jepet shpërblim për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari. Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut). Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut. Ta keni frikë Allahun e ta dini mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni!” (El-Bekare: 198-203)

    O muslimanë!

    Frikojuni Allahut dhe dijeni se agjërimi i ditëve të Caktuara (tre ditëve pas Bajramit) është i ndaluar. Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ditët e qëndrimit në Mina janë të ndaluara për agjërim. Ato janë ditë të ngrënies dhe pijes”.

    Në një transmetim tjetër: Dita e Arafatit, dita e Bajramit dhe ditët e Teshrikut (Dita e dytë, e tretë dhe e katërt e Bajramit) janë festa tona dhe ato ditë janë ditë të ngrënies dhe pijes”.

    Në ndalesën e agjërimit të këtyre ditëve gjejmë urtësi të madhe. Allahu, azze ue xhel, duke i ditur vështirësitë e haxhiut që i përjeton gjatë udhëtimit, lodhjet e tij gjatë periudhës së qëndrimit në Ihram, pastaj luftës shpirtërore dhe asaj trupore gjatë kryerjes së riteve të Haxhit, ia ligjësoi atij qëndrimin në Mina, ditën e Bajramit dhe tre ditë pas saj, që të jetë për haxhiun pushim, të han e të pinë në to, për shkak se ai është mysafir i Allahut dhe është në gostinë e Tij.

    Ata i shoqërojnë edhe muslimanët tjerë anekënd botës të cilët nuk janë pjesëmarrës të Haxhit, për shkak se ata iu bashkëngjitën haxhilerëve në dhjetë ditët e para të muajit, me agjërim, me lutje, me përmendje të shpeshtë të Allahut, me tekbire, me afrim kah Allahu me therje të kurbanit në ditën e Bajramit. Të gjithë morën pjesë në faljen e Bajramit, në ritet e tij, atë ditë u ushqyen dhe pushuan prej lodhjeve të agjërimit, kështu që të gjithë muslimanët morën pjesë në gostinë e Allahut.

    Këto ditë muslimanët hanë dhe pinë prej furnizimit të Tij, e falënderojnë për të mirat e Tij, prandaj edhe ndalohen prej agjërimit të këtyre ditëve.

    E lus Allahun, azze ue xhel, të na mundësojë agjërimin e këtyre ditëve, po ashtu lehtësimin e veprimit të adhurimeve dhe faljen e mëkateve.

    Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

     

     

  • DHJETË DITËT E DHULHIXHES

    DHJETË DITËT E DHULHIXHES

    1. Allahu krijesat i dalloi ndërmjet tyre në vlerë dhe disa i ngriti në shkallë të larta karshi disa të tjerave. Nga ditët dhe muajt i favorizoi disa karshi të tjerëve: Dhjetë ditët e para të muajit Dhulhixhe janë ditët më të mira të dynjasë, dita e Kurban Bajramit është më e mira në mesin e tyre, dita e xhuma është dita më e mirë e javës, ndërsa nga netët: Dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë netët më të mira dhe nata e Kadrit është nata më e mirë në mesin e tyre.
    2. Gjatë ditëve të vitit përhapet aroma e mirësive dhe dhuntive të Allahut, të cilat ua dhuron robërve njësues të Tij. Në ato ditë bën pjesë dhjetëshi i parë i muajit Dhulhixhe, sezonë e madhe e adhurimit, të cilin besimtarët e presin me përmallim, që në shkallë të ngriten, mangësitë t’u plotësohen dhe ta kompensojnë atë që ju iku nga e mira dhe shpërblimi. Prandaj, le të përpiqemi të gjithë, që në këto ditë t’i shtojmë adhurimet dhe ta kërkojmë mëshirën e Allahut.
    3. Ditët më të mira të dynjasë, pa përjashtim, janë dhjetë ditët e Dhulhixhes. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Nuk ka ditë, ku vepra e mirë është më e dashur tek Allahu sesa një vepër e mirë, që bëhet gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes.” Dikush e pyeti: “As pjesëmarrja në luftë në rrugë të Allahut?!” Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u përgjigj: “As pjesëmarrja në luftë në rrugë të Allahut, përveç një burri, i cili del me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën.”[1] Në një transmetim tjetër: “Nuk ka vepër më me vlerë që bëhet në ndonjë ditë sikurse këto dhjetë ditë.”[2] Po ashtu në një transmetim tjetër: “Nuk ka vepër më të vlerësuar dhe me sevap më të madh, sesa një vepër e mirë që bëhet gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes.”[3]
    4. 4. Veprat e detyruara që kryhen në dhjetë ditët e Dhulhixhes kanë më shumë vlerë dhe shumëfishohen në shpërblim sesa veprat e detyruara që kryhen në ditët e tjera. Po ashtu veprat vullnetare që kryhen në dhjetë ditët e Dhulhixhes janë më të mira se veprat vullnetare që kryhen në ditë të tjera, dhe ato (veprat vullnetare) nuk janë më të mira se veprat e detyruara (farzet) që kryhen jashtë dhjetë ditëve të Dhulhixhes. [4]
    5. Namazi në këto ditë ka vlerë më të madhe se namazi që kryhet gjatë ditëve të tjera të vitit, njësoj edhe agjërimi, leximi i Kuranit, dhikri (të përmendurit e Allahut), duaja, përulja para Allahut, respektimi i prindërve, mbajtja e lidhjeve farefisnore, kryerja e nevojave të njerëzve, vizita e të sëmurëve, përcjellja e xhenazeve, bamirësia ndaj fqinjit, dhënia e ushqimit, veprat që dobia e tyre është me karakter kalimtar deri te të tjerët, dhe kështu me radhë.
    6. Vlera e dhjetë ditëve të Dhulhixhes dhe vepra në to e përfshijnë edhe ditën edhe natën e saj, por dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më të mira se dhjetë netët e Dhulhixhes, sepse aty përfshihet nata e Kadrit, kurse dhjetë ditët e Dhulhixhes janë më të mira se dhjetë ditët e Ramazanit, sepse aty përfshihet dita e Kurban Bajramit, dita e Arafatit dhe dita e Tervijes (dita e Tetë e Dhulhixhes)[5].[6]
    7. Në dhjetë ditët e Dhulhixhes grumbullohen adhurime të mëdha që nuk grumbullohen në asnjë sezonë tjetër dhe ato janë: haxhi, therja e kurbanit, gjithashtu namazi, agjërimi dhe lëmosha.[7]
    8. Nga vlera e dhjetë ditëve: Allahu u betua në netët e saj të vlefshme. Allahu thotë: “Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhulhixhe)!” (El-Fexhr: 1-2). Dhjetë netët e përmendura për qëllim janë dhjetë ditët e Dhulhixhes, sipas mendimit të shumicës së komentuesve të Kuranit, nga të parët tanë dhe të vonshmit.[8]
    9. Nga vlera e dhjetë ditëve: ato janë ditë të caktuara dhe të bereqetshme, ku në to Allahu ligjëroi të përmendet emri i Allahut mbi kafshët e tyre që theren për kurban, ashtu siç Allahu thotë: “… që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe ta përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai.” (El-Haxh: 28); ditët e caktuara që përmenden janë dhjetë ditët e para të Dhulhixhes, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve dhe komentuesve të Kuranit.[9]
    10. Dhjetë ditët janë “fundi i muajve të caktuar gjegjësisht muajve të haxhit për të cilat Allahu tha: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar.” (El-Bekare: 197) Muajt e haxhit janë: muaji Sheval, Dhulkade dhe dhjetë ditët e para të Dhulhixhes, siç përcillet nga shumica e sahabëve, si: Omeri dhe i biri i tij Abdullahu, Aliu, Ibën Mesudi, Ibën Abasi, Ibën Zubejri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, dhe të tjerë, dhe ky është edhe mendimi i shumicës së tabi’inëve.[10]
    11. Nga vlera e dhjetë ditëve: në to bie dita e Arafatit. Në këtë ditë Allahu e përsosi fenë dhe e plotësoi dhuntinë mbi myslimanët, siç Allahu thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El-Maide: 3)
    12. Nga vlera e dhjetë ditëve: në to bie Dita e Kurban Bajramit, që njihet edhe si Dita e Haxhit të Madh. Kjo ditë është dita më e madhe tek Allahu, ashtu siç erdhi në hadith: “Dita më e mirë te Allahu është Dita e Kurban Bajramit, e më pas dita (e freskët)[11] , që vjen pas saj.”[12]
    13. Vepra e mirë në këto dhjetë ditë është më e mirë se në ditët tjera të vitit për shkak të vlerës së kohës, për ata që nuk janë në haxh, kurse për haxhilerët, për shkak të vlerës së kohës dhe vendit.
    14. Të parët tanë të mirë, Allahu i mëshiroftë, përkujdeseshin tepër që në dhjetë ditët të jepnin maksimumin e përpjekjes së tyre në adhurime të ndryshme dhe madhështimi i këtyre ditëve e arrinte kulmin te ta.

    Seid ibën Xhubejr, Allahu e mëshiroftë, kur vinin dhjetët ditët e Dhulhixhes, aq shumë përpiqej në adhurime, saqë më nuk mund të shtonte diçka nga to. Ai nxiste për në namaz nate gjatë dhjetë netëve të para të Dhulhixhes dhe thoshte: “Mos i fikni llambat tuaja gjatë dhjetë netëve të Dhulhixhes.”[13]

    Ebu Othman en-Nehdij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Të parët tanë i madhështonin tri dhjetëshe: dhjetëshin e fundit të Ramazanit, dhjetëshin e parë të Dhulhixhes dhe dhjetëshin e parë të Muharremit.”

    1. Myslimani duhet të përshpejtojë që ditët dhe netët e dhjetëshit të parë të Dhulhixhes t’i shfrytëzojë në adhurim e vepra të mira dhe ta plotësojë kohën me nënshtrime dhe vepra që e afrojnë tek Allahu.

    Është për t’u çuditur me ne, nëse gjatë Ramazanit jemi aktivë dhe përpiqemi për adhurime dhe vepra të mira, e më pas në këto ditë të na kaplojë dembelia dhe plogështia, edhe pse ditët e saj janë më të mëdha në vlerë se të Ramazanit dhe vepra në to është më e dashur dhe më e mirë tek Allahu.

    1. Dy herë kujdes, që këto ditë kohën ta harxhosh në gjumë, thashetheme, në përcjelljen e kanaleve televizive të ndaluara dhe në rrjetet sociale, sepse kjo sezonë është thesar dhe mundësi që nuk paguhet.
    2. Vepra më e mirë e dhjetë ditëve të Dhulhixhes është haxhi i pranuar dhe “Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër pos Xhenetit”[14]; kjo, sidomos, nëse e kryen haxhin e detyruar, “dhe atë e kryen në mënyrën më të plotë nga llojet e mirësisë, duke i zbatuar urdhëresat dhe duke u larguar nga ndalesat, dhe duke ia shtuar kryerjes së haxhit bamirësinë ndaj njerëzve, si përshëndetjen me selam dhe dhënien e ushqimit, dhe duke e shtuar edhe të përmendurit e Allahut, me rritjen e zërit me tekbire, dhe therjen e kurbanit.”[15]
    3. Në këto ditë pëlqehet të shpeshtohet të përmendurit e Allahut, në çdo kohë dhe në të gjitha gjendjet: në këmbë, ulur apo i shtrirë, i hipur në mjet apo duke ecur.
    4. Pëlqehet të shpeshtohet me tehlil (la ilahe il-lallah), tekbir (Allahu ekber) dhe tehmid (elhamdulilah). Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Shpeshtojeni këto ditë tehlilin (la ilahe il-lallah), tekbirin (Allahu ekber), dhe tehmidin (elhamdulilah).”[16]

    Allahu për haxhilerët që e vizitojnë Qabenë tha: “… që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai.” (El-Haxh: 28)

    1. Shqiptimi i tekbirit (Allahu ekber) së bashku me tesbihin (subhanallah), tehmidin (elhamdulilah) dhe tehlilin (la ilahe il-lallah) janë vepra të mira që mbeten përherë, shkak për mbjelljen e pemëve në Xhenet dhe fjalët më të dashura tek Allahu, dhe më të dashura te Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se çdo gjë mbi të cilën lind dielli (dynjaja dhe çfarë ka në të). Këto ditë është mirë të ngritet zëri me të përmendurit e Allahut, në këmbë, ulur, të hipur në mjet apo duke ecur, në shtëpi dhe rrugë, nëpër xhami dhe rrugica, tregje dhe vende pune.
    2. Ata që njihen për shëmbëlltyrë të mirë në shoqëri dhe myslimanët në përgjithësi duhet ta ngritin zërin me tekbir nëpër xhami, qarqe dhe shtëpi, si dhe nuk ka pengesë, nëse ajo përçohet edhe me mjete të ndryshme që e përçojnë zërin deri në vende të ndryshme (si shembull: zmadhues zëri).
    3. Abdullah ibën Omeri dhe Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, në dhjetë ditët dilnin në treg bënin tekbir dhe njerëzit bënin tekbir me tekbiret e tyre.

    Një nga tabi’inët, Mejmun ibën Mehran, Allahu e mëshiroftë, tha: “Në dhjetë ditët e Dhulhixhes pashë njerëz që aq shumë bënin tekbir, saqë tekbirin e tyre e shëmbëlleva me dallgët.”

    1. Me tekbir gjatë dhjetë ditëve sjellim përgëzimin e afrimit të ndihmës së Allahut. Me tekbir u çlirua Hajberi dhe do të çlirohen edhe të tjerat dhe do të mposhten armiqtë, me lejen e Allahut.
    2. Tekbiri është dy llojesh: tekbir i papërcaktuar dhe i përcaktuar.

    Tekbiri i papërcaktuar është ai që bëhet gjatë dhjetë ditëve dhe përfundon me përfundimin e ditës së fundit të Teshrikut (dita e katërt e Kurban Bajramit). Shqiptohet në çdo kohë, gjendje dhe vend dhe në çdo situatë, ku lejohet të përmendurit e Allahut dhe myslimani e vepron haptazi dhe me zë ë lartë. Allahu thotë: “… që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe ta përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai.” (El-Haxh: 28)

    1. Tekbiri i përcaktuar bëhet pas namazeve farz dhe fillon nga mëngjesi i ditës së Arafatit, për atë që nuk është në haxh, kurse për haxhilerët fillon nga dreka e ditës së Kurban Bajramit dhe përfundon pas namazit të ikindisë në ditën e tretë të Teshrikut.
    2. Bazë në përcaktimin e kohës së tekbirit të papërcaktuar dhe të përcaktuar janë argumentet dhe gjurmët që kanë ardhur nga shokët e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe nga të parët tanë të mirë.

    Prej formave më të njohura të tekbirit që përcillen prej të parëve tanë: “Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahil hamd.”

    Ka edhe forma të tjera të tekbirit[17] dhe në këtë çështje ka hapësirë për të vepruar.

    1. Pëlqehet agjërimi i nëntë ditëve të Dhulhixhes apo sa të mundet nga këto ditë, ndërsa për vlerën e agjërimit të këtyre ditëve është transmetuar në disa hadithe dhe është vërtetuar prej disa të parëve tanë.

    Agjërimi i shlyen mëkatet, është mburojë nga zjarri i Xhehenemit dhe mëkateve. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, do t’ia largojë Allahu fytyrën e tij nga zjarri i Xhehenemit për shtatëdhjetë pranvera.”[18]

    1. Agjërimi i ditës së Arafatit për atë që nuk është në haxh është traditë profetike dhe thesar i madh. Agjërimi i saj i shlyen mëkatet e dy viteve: “Agjërimi i ditës së Arafatit, shpresoj dhe llogaris në Allahun t`i falë mëkatet e vitit që kaloi dhe atij që vjen pas tij.”[19]
    2. Më e mira dhe më e plota në agjërimin vullnetar të përcaktuar, siç është rasti me ditën e Arafatit, është që nijeti i agjërimit të bëhet natën në syfyr, që shpërblimi të jetë i plotë dhe jo i mangët.
    3. Është mirë të nxitet familja, fëmijët dhe ata që i kemi nën përgjegjësi, që ta agjërojnë ditën e Arafatit. Seid ibën Xhubejr, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Zgjoni shërbëtorët tuaj në syfyr për ta agjëruar ditën e Arafatit.”
    4. Përkujdesu për gjynahet e tua që të perëndojnë (falen dhe shlyen) ditën e Arafatit me perëndimin e diellit të asaj dite.
    5. Nga tregtia fitimprurëse në këto dhjetë ditë është përfundimi i leximit të Kuranit, me meditim dhe kuptim. Për çdo shkronjë të lexuar Allahu shpërblen me një të mirë dhe ajo shtohet deri në dhjetë, kurse gjatë këtyre ditëve shumëfishimi është i vërtetuar krahas ditëve të tjera.
    6. Namazi më i mirë pas atij të detyruar është namazi i natës[20], andaj myslimani përpjekjen e tij për namaz nate nuk duhet ta përkufizojë me netët e Ramazanit, por të mundohet që edhe gjatë këtyre ditëve të falë namaz nate.
    7. Përpiqu në këto ditë të kesh hise nga fjala e Allahut: “… që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.” (Ali Imran: 17), dhe nga fjala e Allahut “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18). Kjo kohë, pjesa e tretë e natës, është koha kur zbret Allahu dhe pranohet kërkimi i faljes dhe pranohet lutja dhe ai që kërkon diçka nga Allahu i jepet atij. O Zot mos na privo nga mirësitë dhe dhuntitë e tua.
    8. Lëmosha është një nga adhurimet e mëdha. Ajo është dëshmi dhe argument i imanit të sinqertë, si dhe ajo e fut nën hijen e saj ditën e Kiametit sadakadhënësin. Lëmosha ruan nga përfundimi keq, i shlyen mëkatet, e fik zemërimin e Allahut, është shkak për bereqet në pasuri dhe shtim në risk dhe Allahu ia kompenson pasurinë sadakadhënësit. Nëse jepet gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes ka më shumë vlerë se kur jepet gjatë ditëve të tjera.
    9. Nga veprat më të dashura te Allahu është gëzimi që fut në zemrën e myslimanit, qoftë me vizitë apo lëmoshë apo me kryerjen e ndonjë nevoje të tij, e vallë sa më e dashur do të jetë te Allahu nëse ajo veprohet gjatë këtyre dhjetë ditëve?
    10. Nga mirësia është interesimi për familjarët e atyre që shkojnë në haxh, bamirësia ndaj tyre dhe përkujdesja për fëmijët e tyre. Andaj “Ai që përgatit dikë të shkojë në haxh apo përkujdeset për familjen e tij pasi të niset për në haxh, është njësoj në shpërblim si haxhiu pa iu pakësuar nga shpërblimi i haxhiut fare.”[21]
    11. Nga adhurimet e mëdha në këto dhjetë ditë është namazi i Kurban Bajramit dhe afrimi tek Allahu me therjen e kurbanit pasi të falet namazi. Të dy adhurimet janë nga traditat e udhëzimit. Allahu thotë: “Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!” (El-Keuther: 2)
    12. Ai që dëshiron të therë kurban, duhet të mos i shkurtojë qimet e trupit dhe thonjtë gjatë këtyre dhjetë ditëve. Ky adhurim fillon me perëndimin e diellit të ditës së fundit të muajit Dhulkade. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kur ta shihni hënën e Dhulhixhes dhe ndonjëri nga ju dëshiron të therë kurban, le të abstenojë nga shkurtimi i qimeve të tij dhe thonjve të tij.” Në një transmetim tjetër shtoi: “Derisa ta therë kurbanin.”[22]
    13. Ai që mëson se çfarë kërkon, i vjen më lehtë atij të flijojë dhe shpenzojë. Me të vërtetë, malli i Allahu është i shtrenjtë, me të vërtetë, malli i Allahut është Xheneti. Andaj të nxitojmë për në vepra të mira, të pendohemi tek Allahu sinqerisht me braktisjen e mëkateve apo gjynaheve, të ndiejmë keqardhje për atë që e kemi bërë dhe të jemi të vendosur që mos t’i kthehemi më, e nëse mëkati ka të bëjë me hakun e njerëzve atëherë duhet që t’i kthehet haku atij që i është bërë padrejtësi. Pra, këto dhjetë ditë le të jenë një fillim i ri i besëlidhjes me Allahun: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj.” (Et-Tehrim: 8)
    14. Nga mençuria e myslimanit është që gjatë këtyre dhjetë ditëve të bashkojë në mes adhurimeve me karakter jotejkalues (që përfiton vetëm ai vetë) si dhikri, namazi, etj. dhe adhurimeve dhe veprave të mira me karakter tejkalues (që përfitojnë edhe të tjerët përveç vetes), që kështu dobia e tij të shtohet dhe shpërblimet t’i shumëfishohen.
    15. Vepra e mirë si dhe largimi nga mëkatet gjatë këtyre dhjetë ditëve, myslimanin e edukojnë në madhështimin e riteve të Allahut dhe ruajtjen e kufijve të Tij. Këto dhjetë ditë janë pjesë e muajit të shenjtë, ndërsa Allahu për muajt e shenjtë thotë: “Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj!” (Et-Teube: 36); dhe thotë: “Ndërsa kush i madhëron shenjat e fesë së Allahut, e tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (El-Haxh: 32); dhe thotë: “Për atë që i nderon ritet e shenjta të Allahut, do të jetë më mirë te Zoti i tij.” (El-Haxh: 30)
    16. Vepra e mirë, pajisja me adhurime dhe mirësi, shfrytëzimi i kësaj sezone e cila nuk përsëritet dy herë brenda një viti, është edukata më e mirë për shpirtin në adhurimin e Allahut dhe shtimin e imanit, dhe njëkohësisht nxitje për të vepruar dhe për të mos u ndalur gjatë tërë vitit.
    17. Gratë tona dhe fëmijët tanë janë amaneti që e bartim mbi supet tona. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Të gjithë ju jeni barinj dhe përgjegjës për kopenë tuaj.”[23]

    Andaj të përpiqemi t’i edukojmë fëmijët në madhështimin e këtyre dhjetë ditëve, t’i stimulojmë për adhurime në to dhe t’i stërvitim në adhurime, t’ua qartësojmë vlerën e dhjetë ditëve para se të vijë muaji Dhulhixhe dhe të kenë hapësirë të përgatiten, kurse ne të bëhemi shëmbëlltyrë praktike për ta në madhështimin e këtyre ditëve.

    Thesar është të shfrytëzohen këto ditë dhe vepër është të veprohet para se të vijë exheli.

     

    E lus Allahun të na japë suksese neve dhe myslimanëve kudo që janë, në shfrytëzimin e sezonave të mirësive, të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin e mirë të Tij.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

    Dr. Muhamed Salih El-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Marrë nga libri Sezonet e adhurimit)

     

    [1] Buhariu (969), Tirmidhiu (757).

    [2] Buhariu (969) (sh.p)

    [3] Sahih et-Tergib ue et-Terhib, shejh Albani (1148), hadithin e vlerësoi shejh Albani si të mirë (sh.p.)

    [4] Fet’hul Barij, Ibën Rexheb (9/15).

    [5] Dita e Tervijes është dita e Tetë e Dhulhixhes, kur haxhilerët preferohet të shkojnë për në Mina dhe të parapërgatiten për ditën e Arafatit dhe qëndrimin në të. (sh.p.)

    [6] Mexhmua el Fetava (25/287), Bedaiul Fevaid, Ibën el Kajim (3/162), Zadul Mead, Ibën el Kajim (1/57), Tefsir Ibën Kethir (5/416).

    [7] Fet’hul Barij, Ibën Haxher (2/460).

    [8] Shih: Tefsir Ibën Kethir (8/390), Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq. 268).

    [9] Shih: Tefsir el Bagavij (5/379), Tefsir Ibën Kethir (5/415), Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq. 263).

    [10] Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq. 269).

    [11]. Ebu Davudi (1765), shejh Albani hadithin e vlerësoi si të saktësoi.

    [12] Dita e freskët është dita që vjen pas ditës së Kurban Bajramit, e ka marrë këtë emër për shkak se njerëzit freskohen dhe pushojnë në Mina, pasi ta kenë kryer tavafin ifades dhe e kanë therur kurbanin. (sh.a.)

    [13] Me qëllim që të rrinë zgjuar për adhurim. (sh.p.)

    [14] Buhariu (1773), Muslimi (1349).

    [15] Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq. 264), Fet’hul Barij, Ibën Rexheb (14/9).

    [16] Imam Ahmedi (5446), kontrolluesit e haditheve të Musnedit të imam Ahmedit hadithin vlerësuan si të saktë.

    [17] Buhariu (2840), Muslimi (1153).

    [18] ‘‘Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahi elhamd.’’ Prej formave të tjera që përcillen është edhe: ‘‘Allahu ekber kebiren, Allahu ekber kebiren, Allahu ekber ue exhel’l, Allahu ekber ue lilahi el hamd’’ Dhe disa në fund e shtuan edhe shtojcën: ‘’Allahu ekberu ala ma hadana’’ (sh.p)

    [19] Muslimi (1162).

    [20] Muslimi (1163).

    [21] Ibën Huzejme në “Sahih Ibën Huzejme” (1930), shejh Albani e vlerësoi si të saktë.

    [22] Muslimi (1977)

    [23] Buhariu (2409), Muslimi (1829).

  • VLERA E BESIMIT NË FSHEHTËSINË – GAJBIN DHE KUPTIMI I TIJ

    VLERA E BESIMIT NË FSHEHTËSINË – GAJBIN DHE KUPTIMI I TIJ

    Falënderimi i takon vetëm se Allahut që na bëri musliman dhe na dalloj nga jobesimtarët. Falënderimi i takon vetëm se Allahut i Cili na dhuroi mendjen dhe na dalloj nga kafshët. Lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të birin e Abdullahut dhe rob i Allahut.

    O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe dijeni se imani është cilësia dalluese e fitimtarëve nga atyre të humburve në mesin e bijve të Ademit. Allahu i Madhëruar thotë: Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin”. (El-Asr: 1-3)

    Katër cilësi janë shpëtuese nga humbja e vërtet: Imani, vepra e mirë, këshilla në të vërtetën dhe këshilla në durim.

    Nuk arrihet deri tek imani me shpresa apo me pretendime dhe prejardhje, por imani është ajo që ngulitet në zemër dhe e vërtetojnë veprat. Imani është besim me zemër, të shprehurit me gjuhë dhe vepër e gjymtyrëve, shtohet me nënshtrime dhe dobësohet me gjynahe.

    Një nga veçoritë më të mëdha të imanit është imani në fshehtësitë (gajbin). Allahu i Madhëruar thotë: “Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne”. (El-Bekare: 2-3)

    Me besim në fshehtësinë – gajbin e nënkuptojmë atë që ti nuk e sheh mirëpo i beson thellësisht duke iu mbështetur lajmeve të sakta të arritura nga ana Allahut dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Muslimani beson në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të Dërguarit e Tij, beson në Ditën e Kiametit dhe i beson caktimit të Allahut, në të mirën dhe të keqen e tij. Po ashtu i beson të gjithë asaj që e ka paralajmëruar Allahu dhe i Dërguari Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nga ngjarjet e mëhershme dhe ato që do të ndodhin më vonë, nga lajmet e të dërguarve dhe popujve të mëhershëm, dhe nga ajo që do të ndodhë nga shenjat e Kiametit si paraqitja e Dexhallit, zbritja e Isait, alejhi selam, dalja e Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve, dalja e kafshës, lindja e diellit nga perëndimi dhe nga shenjat e tjera për të cilat na ka lajmëruar i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se do të ndodhin para Kiametit. Muslimani po ashtu i beson asaj që do të ndodhë në jetën e varrit nga dënimi dhe begatia në varr, beson në ringjalljen, llogarinë, peshoren, Xhenetin dhe Xhehenemin.

    Ai për këtë qëllim përgatitet dhe vepron dhe çështjet nuk i neglizhon. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut, ka dënim të ashpër, ngaqë e kanë harruar Ditën e Llogarisë”. (Sad: 26); “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” (El-Hashër: 18)

    Kush e stolis veten me këtë besim dhe në të është i bindur fort nuk e lejon që dynjaja ta preokupojë e ta largojë nga ky besim që pastaj të radhitet në mesin e atyre që për ta Allahu thotë: “Por ju, përkundrazi, më shumë po e parapëlqeni jetën e kësaj bote, ndonëse jeta tjetër është më e mirë dhe e amshuar”. (El-A’la: 16-17)

    Allahu iu kërcënua rreptë atyre që e posedojnë këtë cilësi dhe tha: “Atëherë, ai që ka shkelur gjithçka dhe ka parapëlqyer jetën e kësaj bote”. (En-Naziat: 37-38)

    Besimtari nuk e lejon që dynjaja të ndikojë në ahiretin e tij po ai dynjanë e shfrytëzon si arë ku në të mbjell dhe shpreson të korrat t’i merr më vonë, për arsye se ai e di se kjo dynja është kalimtare dhe se ahireti është vendbanimi i tij i përhershëm. Pra Allahu besimtarit ia bashkon të mirat e dynjasë me ato të ahiretit, kurse jobesimtarit ia humb dynjanë dhe ahiretin. Allahu i Madhëruar thotë: “Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo është humbja e qartë”. (El-Haxh: 11)

    Abdurrahman ibën Zejd ibën Eslem, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se këto janë cilësi të hipokritit, të cilit kur i përmirësohet dynjaja merret me adhurime e kur i shkatërrohet dynjaja atëherë i ndryshohet zemra dhe nuk i afrohet adhurimeve kurse kur e kaplon ndonjë sprovë apo vështirësi atëherë e le fenë dhe i kthehet mosbesimit.

    Nga besimi në fshehtësitë është që besimtari të veprojë me sheriatin e Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe t’i nënshtrohet atij edhe pse nuk e takuar asnjëherë. Disa nga sahabët i thanë të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “A ka popull i cili ka shpërblime më shumë se ne. I besuam Allahut dhe të pasuam ty. Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u përgjigj: “Çka ju pengon nga kjo? Të Dërguarin e Allahut e keni në mesin e juaj i cili ju vjen me shpallje nga ana e Allahut. Po pas jush do të vijnë popuj që do t’ju sillet Libri mes dy pllakave i besojnë atij dhe veprojnë me të. Ata kanë dyfish më shumë shpërblime se sa ju”.

    Në një hadith tjetër përcillet se ai që kapet për fenë e tij gjatë periudhës së sprovave e ka shpërblimin e pesëdhjetë sahabëve. Ebu Thalebe el Hashenij, Allahu qoftë i kënaqur me të, e pyeti të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, rreth ajetit: “O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë. Tek Allahu do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmërojë për atë që keni punuar”. (El-Maide: 105) dhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Urdhëroni të mirën dhe ndaloni nga e keqja, derisa ju të shihni të ndiqen epshet dhe të preferohet dynjaja (më shumë se ahireti) dhe secili njeri do të mashtrohet nga mendimet e tij personale. Kujdesuni për veten tuaj dhe largohuni nga njerëzit e zakonshëm sepse ta dini që pas jush do të ketë ditë durimi, në ato ditë kush kapet për fenë Allahut është njëlloj sikur të mbajë prushin në dorë. Kush është i aftë ta bëjë këtë (të durojë) do të ketë shpërblimin e 50 personave.

    Sahabët pyetën: O i Dërguari i Allahut, shpërblimin e 50 nga ne apo nga ata? Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, iu përgjigj: “Shpërblimin e 50 nga ju”.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë. “Ai që kapet për traditën time gjatë periudhës kur shkatërrohet Umeti im e ka shpërblimin e dëshmorit”.

    Besimi në fshehtësinë – gajbin po ashtu e përfshin edhe atë që i nënshtrohet Allahut dhe veprën e ka të sinqertë për Allah pa marrë parasysh a vepron në mesin e njerëzve apo në vetmi. Allahu i Madhëruar thotë: Vërtet, për ata që i frikësohen Zotit të tyre pa e parë Atë, do të ketë falje dhe shpërblim të madh”. (El-Mulk: 12); “që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu)”. (Kaf: 33)

    Këto cilësi janë të krejtësisht të kundërta me ato të munafikut i cili paraqitet se e adhuron Allahun në publik kurse kur vetmohet e mohon Zotin e tij. Allahu thotë: “Kur takohen me besimtarët, ata thonë “Besojmë”– por, kur mbesin vetëm me djajtë e tyre, thonë: “Në të vërtetë, ne jemi me ju; ne vetëm po talleshim”. (El-Bekare: 14)

    Besimi në të fshehtën e dallon njeriun që logjikon dhe ka mendje nga njeriu shtazarak i cili nuk beson përveç se atë që e percepton dhe e sheh. Ky i përngjason besimit të kafshëve i cili nuk e dallon me diçka njeriun nga kafshët dhe nuk i bën kurrfarë dobie. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe, kur panë dënimin Tonë, ata thanë: “Tani ne nuk besojmë në askënd tjetër veç Allahut dhe i mohojmë idhujt që ia shoqëronim Atij (në adhurim)”. Por besimi i tyre nuk u solli kurrfarë dobie, kur panë dënimin Tonë. I tillë është ligji i Allahut, që ka vepruar gjithmonë midis robërve të Tij. Të humbur kanë qenë jobesimtarët”. (El-Gafir: 84-85)

    Faraoni kur e pa se po fundoset tha: “Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit; dhe unë jam ndër myslimanët”. (Junus: 90) kurse Allahu iu përgjigj: “Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?!”. (Junus: 91)

    Ky është ligji i Allahut mbi secilin i cili pendohet kur e sheh se i vjen dënimi i tij mirëpo atëherë është vonë dhe pendimi i tij nuk pranohet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë. “Me të vërtet, Allahu i Lartësuar ia pranon pendesën robit përderisa nuk i ka ardhur shpirti në fyt”. Pra robit kur i vjen shpirti në fyt dhe i afrohet meleku i vdekjes më atëherë për të nuk ka pendim, pendimi i tij nuk pranohet.

    O robër të Allahut, prandaj frikojuni Allahut dhe dijeni se Allahu i Lartësuar thotë: O njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut (Dita e Gjykimit) është i vërtetë, prandaj të mos ju mashtrojë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun. Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj vështrojeni si armik! Ai vetëm i josh ithtarët e vet, që të bëhen shokë të zjarrit të përflakur”. (Fatir: 5-6)

    Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

  • DITA E XHUMA – RREGULLA DHE DOBI

    DITA E XHUMA – RREGULLA DHE DOBI

    1. Allahu i dalloi krijesat ndërmjet tyre në vlerë dhe i ngriti disa në shkallë të larta karshi disa të tjerave: “Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh lirisht…” (El-Kasas: 67)

    Disa ditë dhe muaj i favorizoi karshi disa të tjerëve, dita e xhuma është dita më e mirë e javës, dita e Kurbanit Bajramit është dita më e mirë e vitit, ndërsa nga netët, nata e Kadrit është nata më e mirë në mesin e tyre.

    1. Dita e xhuma në gjuhën arabe është quajtur me emrin “el-xhumua” shkaku se buron nga fjala arabe “el-xhem’u”[1], që do të thotë tubim ose grumbullim i myslimanëve një herë në çdo javë. Po ashtu thuhet se është quajtur me këtë emër, ngase Allahu në këtë ditë e ka përfunduar krijimin e çdo gjëje dhe në këtë ditë janë grumbulluar krijesat.[2]
    2. Allahu për myslimanët e zgjodhi ditën e xhuma, për në këtë ditë i udhëzoi dhe me këtë ditë i veçoi.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Popujt që ishin para nesh Allahu i shmangu nga dita e xhumasë. Çifutëve ua dha ditën e shtunë, të krishterëve ua dha ditën e diel, pastaj na udhëzoi neve për në ditën e xhuma. Kështu që dita e xhuma vjen para së shtunës dhe së dielës. Ato njëjtë edhe në ditën e Kiametit do të jenë mbrapa nesh. Ne jemi të fundit nga banorët (umetet) e dynjasë, mirëpo të parët në ditën e Kiametit, që do të merremi në llogari.”[3]

    Në një transmetim tjetër: “Ne jemi të fundit (nga umetet) dhe të parët (që do të merremi në llogari) në ditën e Kiametit edhe pse atyre para nesh u janë dhënë Librat hyjnorë. Kjo është dita (dita e xhuma) që janë detyruar t’i zbatojnë ritet e fesë së tyre, por ata ranë në kundërshtim dhe u përçanë në lidhje me të, kurse neve Allahu na udhëzoi për në këtë ditë (ditën e xhuma). Të gjithë njerëzit janë mbrapa nesh, (dita e shenjtë) te çifutët është të nesërmen (të shtunën) dhe te të krishterët është pasnesër (të dielën).”[4]

    1. Dita e xhuma për myslimanët është festë javore. Ajo është zonja e ditëve dhe dita më e mirë tek Allahu si dhe dita më e mirë në të cilën lind dielli, ashtu siç lajmëroi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe tha: “Dita më e mirë në të cilën lind dielli është dita e xhuma. Në këtë ditë u krijua Ademi, në këtë ditë u fut në Xhenet, në këtë ditë doli nga Xheneti dhe nuk ka për të ndodhur Kiameti, përveçse në ditën e xhuma.”[5]
    2. Dita e xhuma është ‘dëshmitari’ në të cilin u betua Allahu në suren El-Buruxh dhe thotë: “Për dëshmitarin dhe për atë që dëshmohet.” (El-Buruxh: 3). Kur Allahu betohet në diçka nënkupton që ajo është madhështore.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dita e premtimit është dita e Kiametit, dita që për atë dëshmohet është dita e Arafatit dhe dita e dëshmitarit është dita e xhuma.”[6]

    Shumica e komentuesve të Kuranit janë të këtij mendimi se dita e xhuma është dita e dëshmitarit.

    Është quajtur me këtë emër, sepse kjo ditë do të dëshmojë për çdonjërin se çka ka vepruar në këtë ditë, si dhe po ashtu çdo ditë tjetër (dëshmon).[7]

    1. Nga vlerat e ditës së xhuma është se kush vdes ditën apo natën e xhuma, Allahu e mbron nga sprova e varrit, d.m.th. nga ndëshkimi dhe marrja në pyetje. Kjo është shenjë nga shenjat e përfundimit të mirë.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdo mysliman që vdes ditën e xhuma apo natën e xhuma Allahu e mbron nga sprova e varrit.”[8]

    1. Dita e xhuma është ditë feste për myslimanët, nuk parapëlqehet të veçohet me agjërim, shkaku se myslimani gjatë kësaj dite ka nevojë për energji e cila e ndihmon dhe e përkrah për adhurim. Veçohet myslimani, i cili agjëron dhe agjërimi i tij qëllon në këtë ditë si shembulli i atij i cili e agjëron një ditë dhe një ditë jo, dhe agjërimi i tij i bie të jetë në ditën e xhuma, ose ai i cili e agjëron ditën e Arafatit apo ditën e Ashurës dhe agjërimi i këtyre ditëve bie në ditën e xhuma.[9]

    Ka ardhur ndalesë që dita e xhuma të veçohet me agjërim, përveç kur asaj dite i shtohet një ditë para apo mbrapa. Xhuvejrije bint El-Harith, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell se një ditë xhumaje ajo mbante agjërim dhe i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, hyri në dhomën e saj dhe i tha: “Dje a mbajte agjërim?” – Iu përgjigj: “Jo.” – Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “E ditën e nesërme a do të agjërosh?” – Iu përgjigj: “Jo.” – “Atëherë mos agjëro as sot.” – i tha Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.[10]

    Në një hadith tjetër: “Askush nga ju të mos e agjërojë ditën e xhuma, përveç nëse agjëron bashkë me të një ditë para apo mbrapa.”[11]

    Me një transmetim tjetër: “Mos e veçoni me namaz nate natën e xhuma nga netët e tjera, dhe mos e veçoni me agjërim ditën e xhuma nga ditët e tjera, përveç nëse ndonjëri nga ju agjëron dhe agjërimi i tij përputhet me këtë ditë.”[12]

    1. Namazi i xhumasë është një nga detyrimet më të mëdha dhe më të vërtetuara të Islamit. Detyrshmëria e tij është nga veprat e domosdoshme që duhet të dihen nga feja islame.

    Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, tha: “Namazi i xhumasë është një nga detyrimet më të vërtetuara të Islamit dhe një nga vendmbledhjet më të mëdha të myslimanëve. Ai është grumbullimi më i madh dhe më i detyruar se çdo takim dhe grumbullim tjetër, në përjashtim të vendmbledhjes dhe takimit në Arafat.”[13]

    Allahu thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!” (El-Xhumua: 9). Allahu në këtë ajet e urdhëroi myslimanin të nxitojë për në faljen e namazit të xhumasë dhe e ndaloi të bëjë tregti pasi të thirret ezani i xhumasë, shkaku që shitblerja të mos e shmang nga namazi i xhumasë.

    1. Namazi i xhumasë është detyrim individual për çdo mashkull mysliman, të rritur, me mendje të shëndoshë, të lirë dhe jo rob, të shëndoshë dhe jo të sëmurë, vendas dhe jo udhëtar, i cili e dëgjon ezanin dhe nuk ka ndonjë arsye të shëndoshë sheriatike, që e arsyeton mosfaljen e tij.
    2. Namazi i xhumasë nuk detyrohet për gruan, të sëmurin, udhëtarin, fëmijën dhe robin.
    3. Nëse për namazin e xhumasë prezanton një i rritur,[14] i cili bën pjesë në grupin e atyre që me sheriat nuk iu detyrohet xhumaja (si p.sh. udhëtari, – sh.p.-), namazi i xhumasë i pranohet dhe ai nuk duhet ta falë namazin e drekës.
    4. Urdhërohet fëmija që ta falë namazin e xhumasë kur t’i ketë shtatë vjet dhe detyrohet me forcë (rrihet) kur t’i ketë dhjetë, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili thotë. “Urdhëroni (mësoni) fëmijët tuaj ta falin namazin kur t’i kenë shtatë, e nëse nuk e falin namazin kur t’i kenë dhjetë, jini më të ashpër me ta (rrihni lehtë), dhe ndajini në shtretër (të veçantë).”[15]
    5. Ai që e dëgjon ezanin e xhumasë dhe është nga ata që i detyrohet falja e namazit të xhumasë, e ka për detyrë t’i përgjigjet thirrjes së ezanit për namaz dhe nuk lejohet të mungojë, përveçse me arsye.

    Arsyet që e lejojnë mosprezencën në namazin e xhumasë janë po të njëjtat arsye që e lejojnë mosprezencën në namazin me xhemat, pra, xhumaja bie shkaku i të njëjtave arsye që bie namazi me xhemat, si: rënia e shiut shumë derisa rrobat të lagen dhe të bëhen qull, i ftohti i ashpër, rruga e baltosur dhe e palëvizshme, frika për veten, pasurinë dhe familjen dhe të tjera. Ai që nuk e fal xhumanë, patjetër e ka ta falë namazin e drekës.[16]

    1. Ai që detyrohet ta falë namazin e xhumasë, nëse e braktis dhe nuk e fal pa ndonjë arsye sheriatike, bën mëkat nga mëkatet e mëdha. Ka ardhur paralajmërim i ashpër dhe kërcënues për zemrën e tij, si: shkujdesja dhe vulosja e zemrës së tij, Allahu na ruajttë.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nëse njerëzit nuk e ndërpresin mosfaljen e namazit të xhumasë, Allahu do t’ua vulosë zemrat e tyre ose do t’i bëjë nga të shkujdesurit.”[17]

    Në një hadith tjetër: “Kush nuk i fal tri xhumaja pa ndonjë arsye sheriatike, Allahu ia vulos zemrën e tij.”[18]

    Imami Ibën Abdulber, Allahu e mëshiroftë, tha: “Vulosja e zemrave nënkupton stampimin e tyre, ky është kërcënim i rëndë, sepse atij që i vuloset dhe i stampohet zemra, më nuk e dallon të mirën dhe nuk e mohon të keqen.”[19]

    Dhe tha: “Dijetarët janë unikë se kush nuk i fal tri xhumaja pa arsye sheriatike, është mëkatar dhe dëshmia e tij nuk pranohet.”[20]

    1. Atij që i detyrohet falja e xhumasë, nuk i lejohet të udhëtojë pasi të thirret ezani i xhumasë, përveç në raste domosdoshmërie, sepse xhumaja për të tashmë është obliguar, si dhe nuk i lejohet atij të angazhohet me diçka që e pengon dhe e largon nga namazi i xhumasë, dëfrimi apo tregtia. Allahu na urdhëroi të nxitojmë për faljen e xhumasë dhe thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (ta falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!” (El-Xhumua: 9)

    Këtu veçohet ai që dëshiron të udhëtojë dhe ka frikë se po i ikën përcjellja (shokët). Kjo është arsye që e rrëzon obligimin e faljes së xhumasë dhe namazit me xhemat.

    Njëjtë është rasti me atë që ka frikë se aeroplani do të fluturojë dhe udhëtimi do t’i ikën, ose koha e udhëtimit të anijes ka ardhur dhe të ngjashme me to.

    Po ashtu në këtë rast veçohet edhe ai që mund të arrijë ta falë xhumanë në ndonjë xhami gjatë rrugës së tij.

    Ai që udhëton para se të hyjë koha e xhumasë (d.m.th. paradite) për të nuk ka pengesë, por nëse e vonon udhëtimin pas xhumaje kjo për të do të ishte më e mirë, që të mos i ikën mirësia e madhe e xhumasë.

    1. Atij që i ikën namazi i xhumasë, patjetër duhet ta falë namazin e drekës. Nëse ka pasur arsye për mosfaljen e xhumasë, atëherë nuk ka mëkat, a nëse nuk ka pasur arsye, atëherë ka bërë mëkat nga mëkatet e mëdha.
    2. Përkujdesja për pesë kohët e namazit dhe për namazin e xhumasë është me vlerë të madhe dhe është shkak për faljen e mëkateve. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër, janë shlyese të mëkateve të bëra në mes tyre, për ata që nuk kanë bërë mëkate të mëdha.”[21]

    Hadithi nënkupton se këto vepra i shlyejnë të gjitha mëkatet, përveç atyre të mëdhave, ndërsa mëkatet e mëdha shlyhen me pendim apo me mëshirën e Allahut.

    Çdonjëra nga këto tri adhurime i shlyejnë mëkatet. Kur gjejnë mëkate të vogla i shlyejnë ato, e kur nuk gjejnë mëkate të vogla dhe as të mëdha, robit i shkruhen të mira dhe i rriten shkallët, e kur gjejnë ndonjë mëkat të madh apo mëkate të mëdha, shpresohet që ato t’i pakësojnë. Mirësia e Allahut me të vërtete është e madhe.[22]

    1. Dita e xhuma është dita ku njerëzit grumbullohen dhe rikujtohen për dynjanë dhe ahiretin e tyre.

    Urtësia nga ligjërimi i namazit të xhumasë qëndron në faktin se Allahu “për çdo umet e bëri të ligjshme një ditë në javë, që në të t’i kushtohen adhurimit dhe të grumbullohen për t’ua rikujtuar dynjanë dhe ahiretin, shpërblimin dhe ndëshkimin, dhe me këtë grumbullim ta rikujtojnë grumbullimin në ditën e Kiametit, kur do të qëndrojnë para Allahut. Dita që e meritoi këtë grumbullim dhe rikujtim të tyre u bë dita e xhuma, e njëjta ditë që në të Allahu do t’i grumbullojë krijesat e Tij në ditën e Kiametit. Allahu ia rezervoi këtë ditë umetit tonë shkaku i vlerës dhe prestigjit që e ka ky umet, në dynja grumbullimin e tyre e bëri të ligjshëm në këtë ditë për t’iu nënshtruar Atij dhe në ahiret e përcaktoi grumbullimin e tyre së bashku me umetet e tjera në këtë ditë që ta fitojë dinjitetin dhe prestigjin kundrejt umeteve të tjera. Pra, kjo është dita e ligjëruar për t’u grumbulluar në dynja dhe dita e përcaktuar për t’u grumbulluar në ahiret.”[23]

    1. Nga udhëzimi i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka qenë madhështimi dhe të nderuarit e ditës së xhuma, të dalluarit e saj me adhurime të veçanta për këtë ditë[24], si leximi i sures Es-Sexhde dhe El-Insan në namazin farz të sabahut, pastrimi për xhuma, veshja e rrobave më të mira, parfumosja, shkuarja herët në xhami, angazhimi me adhurime vullnetare, si: me namaz, dhikër dhe lexim të Kuranit derisa të vijë imami, pastaj leximi i sures El-Kehf natën dhe ditën e xhuma, kërkimi i orës ku në të pranohet lutja dhe nuk ka mysliman që e lut Allahun në këtë kohë, vetëm se Allahu ia jep atë që e kërkon, pastaj dërgimi i salavateve për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, natën dhe ditën e xhuma, si dhe adhurime dhe rregulla të tjera të pëlqyera që është mirë për myslimanin të përkujdeset që t’i veprojë ato.
    2. Pëlqehet natën apo ditën e xhuma të lexohet surja El-Kehf. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush e lexon suren El-Kehf në ditën e xhuma, e ndriçon një dritë prej asaj xhumaje e deri në xhumanë tjetër.”[25]

    Me një transmetim tjetër: “Kush e lexon suren El-Kehf në ditën e xhuma, e ndriçon një dritë mes tij dhe shtëpisë së lashtë (Qabesë).”[26]

    Me një transmetim: “Kush e lexon suren El-Kehf natën e xhuma…”[27]

    1. Natën dhe ditën e xhuma pëlqehen salavatet e shpeshta për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dita më e mirë në mesin e ditëve tuaja është dita e xhuma. Në këtë ditë u krijua Ademi, në këtë ditë ndërroi jetë, në këtë ditë i fryhet surit dhe njerëzit ngrihen nga varret. Shtoni gjatë ditës së xhuma salavatet për mua, sepse ato do të paraqiten para meje.”[28]

    Me një transmetim tjetër: “Shtoni salavatet për mua natën dhe ditën e xhuma. Kush bën një herë salavate për mua, Allahu ia kthen me dhjetë.”[29]

    Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, tha: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, është krijesa më e mirë dhe dita e xhuma është dita më e mirë. Salavatet për të në ditën e xhuma e kanë një veçori që nuk e kanë në ditët e tjera, përfshirë këtu edhe urtësi të tjera, ndër to: çdo mirësi që e ka arritur umeti i tij në dynja dhe ahiret, e ka arritur nëpërmjet Profetit të tyre, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Allahu nëpërmjet Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, umetit të tij ia bashkoi mirësitë e dynjasë dhe ahiretit. Dinjiteti dhe prestigji më i madh që u arrin atyre është në ditën e xhuma. Në këtë ditë është ringjallja e tyre për në shtëpitë dhe pallatet e tyre në Xhenet, në këtë ditë është ‘dita e tepricës’[30] pasi të hyjnë në Xhenet. Kjo ditë për ta është ditë feste në dynja, në këtë ditë Allahu u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të tyre dhe nuk e kthen lutjen e atij që i lutet. Të gjithë këtë mirësi umeti i tij e mësuan dhe e arritën për shkak të të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, prandaj edhe nga falënderimi, respekti dhe nga dhënia sadopak e hakut që e kemi ndaj tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, është që t’i shtojmë salavatet gjatë natës dhe ditës së xhuma.”

    1. Larja e trupit për namazin e xhumasë është tepër e pëlqyer dhe ky mendim është i shumicës së dijetarëve, ndër ta edhe katër imamët (Ebu Hanifes, Malikut, Shafiut dhe Hanbeliut). Një grup dijetarësh anojnë kah mendimi se larja e trupit për namazin e xhumasë është detyrim, ndër ta dijetarët e medh’hebit Dhahirij si dhe është thënie e imam Ahmedit dhe disa dijetarëve të tjerë. Ata argumentohen me hadithin: “Guslli (larja e trupit) i ditës së xhuma është detyrim për çdonjërin që ka hyrë në moshën madhore.”[31]

    Dijetarët e shumicës thonë që hadithi nënkupton se guslli është sunet i vërtetuar për atë që ka hyrë në moshën madhore, dhe për këtë argument është hadithi: “Kush merr abdes në ditën e xhuma ka vepruar mirë dhe sipas sunetit, kurse marrja e gusllit është më e mirë.”[32]; dhe po ashtu argumentohen edhe me argumente të tjera.

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, për më të saktë e zgjodhi mesataren e dy thënieve, dhe ajo është se detyrohet guslli në ditën e xhuma për atë që ka djersë ose i vjen era e keqe dhe kështu dëmtohen të tjerët prej tij.[33] Kjo thënie është e fortë në argumentim.

    1. Koha e gusllit të xhumasë fillon prej pas lindjes së agimit dhe kush pastrohet para kësaj kohe nuk ia ka qëlluar sunetit.

    Ajo më e mira është që guslli të vonohet deri para se të dalë për në xhuma, kështu që shkuarja për në xhuma të jetë menjëherë pas larjes së trupit. [34]

    1. Nëse bashkohen guslli i xhumasë dhe guslli i xhunubllëkut, mjafton të merret një gusëll nëse nijeti bëhet i përbashkët.

    Nëse myslimani e bën nijet që me pastrimin e trupit ta largojë vetëm xhunubllëkun dhe pastrimi bëhet pas lindjes së agimit, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve ky gusëll është i vlefshëm edhe si gusëll i xhumasë, sepse ai e ka larë trupin e tij, dhe sipas kuptimit gjeneral të hadithit ajo që synohet është pastrimi i trupit dhe në këtë rast është arritur ky synim me këtë gusëll.

    Mirëpo nëse e bën nijet vetëm gusllin e xhumasë, nijeti i tij nuk është i vlefshëm edhe për gusllin e xhunubllëkut, kjo ngase guslli i xhumasë nuk merret për shkak të papastërtisë, ndërsa guslli i xhunubllëkut detyrohet për shkak të papastërtisë, prandaj patjetër duhet që nijeti të jetë prezent për ta larguar këtë papastërti.[35]

    1. Guslli i xhumasë pëlqehet në veçanti për ata që prezantojnë për namazin e xhumasë, burra apo gra, edhe nëse janë nga ata që nuk iu obligohet falja e xhumasë, sepse guslli merret shkaku i namazit e jo shkaku i ditës dhe qëllimi i marrjes së gusllit është të pastrohet trupi dhe të largohet era e keqe, që të mos dëmtohen të tjerët.

    Ata që nuk shkojnë për ta falur namazin e xhumasë, si: gratë, fëmijët, udhëtari dhe i sëmuri, s’ka nevojë për gusëll.

    Nëse shkon për xhuma ndonjëri nga ata që nuk i obligohet ta falë namazin e xhumasë, guslli në këtë rast pëlqehet për të. Në këtë aludon ajo që kuptohet nga kuptimi i përgjithshëm i hadithit.

    1. Nga rregullat dhe gjërat që pëlqehen të veprohen në ditën e xhuma janë: parfumosja, larja e trupit, zbukurimi dhe pamja e mirë, rregullimi i flokëve, veshja e rrobave më të mira që i posedon njeriu dhe përdorimi i misvakut.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Një njeri që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet[36], i lyen flokët me vaj[37] ose parfumohet nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy vetave (që janë ulur), falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t’i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër.”[38]

    Me një transmetim tjetër: “Kush pastrohet ditën e xhuma dhe rregullohet sa më mirë që është e mundshme, parfumoset nga parfumet e shtëpisë së tij, pastaj shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje në mes njerëzve (që janë ulur) duke kaluar në mes tyre, falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu, pastaj hesht kur del imami në minber derisa ta falë namazin, për të do të jetë shlyerje e mëkateve të xhumasë që është prezent dhe xhumasë së kaluar”; me transmetim shtoi: “edhe për tri ditë të tjera shtesë.”[39]

    Me një transmetim tjetër: “Guslli (larja e trupit) i ditës së xhuma është detyrim për çdonjërin që ka hyrë në moshën madhore, si dhe përdorimi i misvakut dhe parfumosja për atë që gjen parfum në shtëpinë e tij.”[40]

    1. Nga sunetet e braktisura të ditës së xhuma është shkuarja herët në xhami dhe shpërblimi për këtë është i madh. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush lahet ditën e xhuma sikurse lahet kur pastrohet nga xhunubllëku, pastaj shkon në xhami, në orën e parë (herët) sikurse të ketë bërë për kurban një deve, kush shkon në orën e dytë sikurse të ketë bërë për kurban një lopë, kush shkon në orën e tretë, sikurse të ketë bërë për kurban një dash me brirë, kush shkon në orën e katërt, sikurse të ketë bërë për kurban një pulë, kush shkon në orën e pestë, sikurse të ketë bërë për kurban një vezë. Kur vjen imami dhe hip në minber melaqet ulen ta dëgjojnë fjalimin e tij.”[41]

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kur vjen dita e xhuma, te çdo derë e xhamisë qëndrojnë melaqe që i regjistrojnë ata që vijnë njërin pas tjetrit dhe kur imami ngjitet në shkallët e minberit, melaqet i mbyllin fletushkat dhe ulen ta dëgjojnë fjalimin e imamit.”[42]

    1. Pesë orët e xhumasë (të cekura në hadith) fillojnë pas lindjes së diellit e deri në arritjen e imamit për namaz dhe nuk është kusht që ato orë të jenë sipas kohëve të orës që njihen te njerëzit (60 minuta – sh.p.-).

    Për ta ditur saktësisht kohën e saj, kohën e ndan në pesë pjesë prej lindjes së diellit e deri në ezanin e dytë të xhumasë, kështu që çdo pjesë nga këto pesë pjesë është për qëllim me fjalën ‘orë’ të cekur në hadith[43].[44]

    1. Kanë ardhur argumente për vlerën e shkuarjes herët në xhuma se ka shpërblim të madh që nuk duhet të braktiset dhe lihet. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush lahet mirë në ditën e xhuma, pastaj niset herët për të shkuar në xhami, ecën duke mos hipur në ndonjë mjet, i afrohet imamit dhe e dëgjon me vëmendje pa folur, për çdo hap të bërë për në xhami e merr shpërblimin sikur të ketë agjëruar dhe të jetë falur natën për një vit.”[45]

    Ky shpërblim është i madh. Për çdo hap e fiton shpërblimin e një viti agjërim dhe namaz nate, edhe atë me bërjen e një vepre të lehtë, si: shkuarja herët në xhuma, afrimi afër imamit dhe dëgjimi i hutbes me vëmendje pa folur.

    Prandaj disa dijetarë thanë: “Nuk kemi dëgjuar në sheriat ndonjë hadith të saktë që të përfshijë një shpërblim të ngjashëm me këtë të përmendur në hadith.”[46]

    1. Nisja herët për në xhuma është dobiprurëse dhe nëpërmjet saj realizohen shumë dobi, ndër to: zbatimi i sunetit, mundësia për t’u ulur në rreshtin e parë, prezenca afër imamit, mundësia për të bërë adhurime vullnetare para namazit të xhumasë, leximi i Kuranit e në veçanti leximi i sures Kehf, angazhimi me dhikër dhe me dërgimin e salavateve për të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.
    2. Ai që niset për në xhuma pëlqehet të ecën dhe jo të hipën në ndonjë mjet transporti, përveç nëse ka arsye, sëmundje dhe të ngjashme me të, dhe të pastrohet mirë e të niset herët dhe t’i afrohet imamit e të mos flasë, sepse për çdo hap që e bën do ta fitojë shpërblimin e një viti agjërim dhe namaz nate, duke u bazuar në hadithin e mëhershëm ku Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush lahet mirë në ditën e xhuma, pastaj niset herët për të shkuar në xhami, ecën duke mos hipur në ndonjë mjet, i afrohet imamit dhe e dëgjon me vëmendje pa folur, për çdo hap të bërë për në xhami e merr shpërblimin sikur të ketë agjëruar dhe të jetë falur natën për një vit.”[47]
    3. Ecja rrugës për në xhuma duhet të jetë me qetësi dhe me modesti, besimtari rrugës nuk duhet t’i gërshetojë gishtat e tij, sepse ai (llogaritet se) është në namaz. Gjatë ecjes është mirë që t’i ngushtojë hapat dhe t’i shtohen të mirat e tij, si dhe të shtojë në të përmendurit e Allahut dhe ta ulë shikimin e tij.[48]

    Rrugës për në xhami pëlqehet ta thotë duanë e shkuarjes për në xhami: “O Allah ndriçoje zemrën time, ndriçoje gjuhën time, ndriçoje dëgjimin tim, ndriçoje shikimin tim, ndriçoje prapa meje, ndriçoje para meje, ndriçoje mbi mua, ndriçoje nën mua. O Allah më ndriço mua.”[49]

    1. Nxitimi për në namazin e xhumasë i ka dy kohë: kohën e detyrimit dhe kohën e vlerës.

    Koha e detyrimit është koha kur thirret ezani i xhumasë pasi imami ngjitet në shkallët e minberit. Këtu besimtari duhet të nxitojë dhe ta braktisë tregtinë, ashtu siç Allahu thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!” (El-Xhumua: 9)

    Ndërsa koha e vlerës është prej kur lind dielli, sa më herët që shkon për në xhuma është më mirë dhe ka më shumë vlerë.[50]

    1. Të gjithë dijetarët janë të pajtimit se për besimtarin pëlqehet kur të shkojë në xhuma të jetë sa më afër imamit që ta arrijë mirësinë e rreshtit të parë, të heshtë dhe ta dëgjojë me vëmendje hutben.[51] Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush lahet mirë në ditën e xhuma, pastaj niset herët për të shkuar në xhami, ecën duke mos hipur në ndonjë mjet, i afrohet imamit dhe e dëgjon me vëmendje pa folur, për çdo hap të bërë për në xhami e merr shpërblimin sikur të ketë agjëruar dhe të jetë falur natën për një vit.”[52]

    Këtë mirësi nuk e arrin, përveç atij që i afrohet imamit dhe e dëgjon me vëmendje, pra, patjetër duhet të jenë bashkë këto të dyja. Nëse dëgjon me vëmendje mirëpo është larg imamit, ose është afër imamit mirëpo nuk dëgjon me vëmendje, nuk e arrin këtë shpërblim.[53]

    1. Ai që shkon për xhuma pëlqehet të falë namaz vullnetar të përgjithshëm sa të dojë, derisa të vijë imami dhe të fillojë me hutben.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Një njeri që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet, i lyen flokët me vaj ose parfumoset nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy vetave (që janë ulur), falet sa të mundet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t’i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër.”[54]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Ai i cili e pastron trupin ditën e xhuma, pastaj niset për ta falur namazin, i fal ato që është i detyruar t’i falë, e dëgjon hutben me vëmendje derisa të kryhet, pastaj falet me imamin, Allahu ia fal mëkatet nga kjo xhuma deri në xhumanë tjetër dhe për tri ditë të tjera shtesë.”[55]

    1. Ai që prezanton në xhuma pëlqehet që të angazhohet me dhikër, lexim të Kurani, me dërgimin e salavateve për të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe me përpjekje në adhurim, derisa të vijë imami.
    2. Pas namazit të xhumasë pëlqehet të falen dy apo katër rekate vullnetare, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kush e fal xhumanë, pas saj le t’i falë katër rekate.”[56]

    Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, pas faljes së xhumasë nuk falte namaz derisa kthehej në shtëpi dhe i falte dy rekate.”[57]

    Me një transmetim tjetër: “Pasi Abdullah ibën Omeri, e fali xhumanë u kthye në shtëpi dhe i fali dy rekate, dhe më pas tha: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, vepronte kështu.”[58]

    Disa dijetarë mendojnë që besimtari është i lirë të zgjedhë në mes dy dhe katër rekateve për t’i falur pas xhumasë.

    Disa dijetarë të tjerë i bashkuan të dy hadithet dhe thanë: “Nëse i fal në xhami atëherë i fal katër, e nëse i fal në shtëpi i fal dy”; kjo është zgjedhje e Ibën Tejmijes dhe nxënësit të tij Ibën El-Kajim, Allahu i mëshiroftë.[59]

    1. Në ditën e xhuma pëlqehet përpjekja në lutje, shpeshtimi i saj dhe të kërkuarit nga Allahu mirësitë e dynjasë dhe ahiretit, në kohën kur pranohen lutjet, duke shpresuar që ta takojë këtë kohë.

    Koha kur pranohen lutjet është veçori e ditës së xhuma. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e përmendi ditën e xhuma dhe tha: “Në këtë ditë gjendet një orë, nëse e takon një rob mysliman duke u falur (lutur) dhe kërkon prej Allahut diç, Allahu ia jep atë”, dhe pastaj bëri një shenjë me dorën e tij për të treguar se kjo orë është e shkurtër.[60]

    Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për këtë kohë dhe ato që shpresohet të jenë sa më afër së vërtetës janë dy:[61]

    Mendimi i parë: Koha e pranimit është në orën e fundit pas namazit të ikindisë, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kërkojeni atë në orën e fundit pas namazit të ikindisë.”[62]

    Mendimi dytë: Koha e pranimit fillon prej momentit kur ulet imami në hutbe dhe vazhdon deri kur mbaron namazi, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kërkojeni atë prej kur të ulet imami e deri kur mbaron namazi.”[63]

    1. Allahu e fshehu kohën e pranimit të lutjes në ditën e xhuma, ashtu siç e fshehu natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, me qëllim që myslimanët të lakmojnë dhe të përpiqen në kërkimin e saj dhe të garojnë në mes tyre për në vepra të mira.

    Kjo është e njëjtë sikurse e fshehu “emrin e Tij të madh tek emrat, e fshehu kënaqësinë e Tij në adhurime që të lakmojnë dhe të shkojnë pas të gjitha të tjerave, e fshehu zemërimin e Tij në mëkate që të largohen nga të gjitha të tjerat dhe e fshehu ndodhinë e Kiametit që të përpiqen në adhurime dhe të jenë të kujdesshëm nga ndodhia e tij.”[64]

    1. Në ditën e xhuma pëlqehet që t’i kushtohet kohë adhurimit dhe të lihen anash angazhimet e dynjasë që të përfitohet hairi dhe bereqeti që janë në të, sepse kjo ditë “është ditë adhurimi, pozita e saj në mesin e ditëve është si Ramazani në mesin e muajve dhe koha e pranimit të lutjeve në të është si nata e Kadrit në Ramazan.

    Prandaj kush e bën një ditë xhumaje të shëndoshë (me adhurimet specifike) dhe pa mëkate (shpëton nga mëkatet e mëdha), atëherë do të ketë një javë të shëndoshë, kush bën një ramazan të shëndoshë (me adhurimet specifike) dhe pa mëkate të mëdha (shpëton nga mëkatet e mëdha), atëherë do të ketë një vit të shëndoshë, kush bën haxh të shëndoshë (me adhurimet specifike) dhe pa mëkate të mëdha (shpëton nga mëkatet e mëdha), atëherë do të ketë një jetë të shëndoshë.

    Pra, dita e xhuma është peshorja e javës, Ramazani është peshorja e vitit dhe haxhi është peshorja e jetës.”[65]

     

    E lusim Allahun që të na japë sukses dhe mbarësi për atë që Ai e do dhe Atë e kënaq, dhe të na bëjë nga ata që ua pranon veprat dhe të na përfshijë në faljen dhe mëshirën e Tij.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Libri “Sezonet e adhurimit” ( i përkthyer në gjuhën shqipe)

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

    [1] Tubim, mbledhje, grumbullim apo bashkim (sh.p.)

    [2] Shih: Tefsir Kurtubij (18/97), Ibën Kethir (8/119), Lisanul Arab (8/58).

    [3] Muslimi (856).

    [4] Buhariu (876), Muslimi (855).

    [5] Muslimi (854).

    [6] Tirmidhiu (3339), dhe hadithin e vlerësoi të dobët, ndërsa shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

    [7] Shih: Et-Tefsir El-Basit, El-Vahidij (23/380), Tefsir El-Bagavij (8/378), Ibën Kethir (8/365).

    [8] Tirmidhiu (1074), shejh Albani e ka vlerësuar të mirë.

    [9] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (4/426), El-Mexhmua, Imam Neveviu (6/437) dhe komenti i tij i Sahihul Muslim (8/19), Fetava Ibën Uthejmin (20/51).

    [10] Buhariu (1986).

    [11] Buhariu (1985), Muslimi (1144).

    [12] Muslimi (1144).

    [13] Zadul Mead, Ibën El-Kajim (1/364).

    [14] I cili ka arritur moshën që duhet t’i zbatojë urdhrat fetarë (sh.p.)

    [15] Ebu Davud (495), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [16] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (2/376, 3/218), El-Mexhmua, Imam Neveviu (4/203,489), El-Insaf, Imam El-Mavardij (2/300).

    [17] Muslimi (865).

    [18] Ebu Davud (1052), Tirmidhiu (500), Nesaiu (1369), Ibën Maxhe (1125), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [19] El-Istidhkar (2/55).

    [20] El-Istidhkar (2/56).

    [21] Muslimi (233).

    [22] Shih: Sherh Nevevij ala Muslim (3/113), El-Mexhmua (7/382).

    [23] Zadul Mead, Ibën El-Kajim (1/407).

    [24] Zadul Mead, Ibën El-Kajim (1/363).

    [25] Shënon Hakimi (2/399), hadithi gjendet edhe në Sahih El-Xhami’ (6470).

    [26] Imam Bejhakiu në Shuabul Iman (2220, 2777), hadithi gjendet edhe në Sahih El-Xhami’ (6471), ndërsa imam Nesaiu, Bejhakiu dhe Ibën El-Kajimi si më të saktë e vlerësojnë se hadithi është meukuf (zinxhiri përfundon tek sahabiu, – sh.p.-) dhe zinxhiri i tij përfundon tek Ebu Seid El-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

    [27] Imam Darimiu (3450), si hadith meukuf dhe zinxhiri i përfundon tek Ebu Seid El-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

    [28] Ebu Davudi (1047), Nesaiu (1374), Ibën Maxhe (1085), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [29] Bejhakiu në El-Kubra (3/353), shejh Albani e vlerësoi të mire hadithin në Es-Sahiha (1407).

    [30] Dita e tepricës është dita kur i shfaqet Allahu besimtarëve në Xhenet. Allahu thotë: “Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë.” (Kaf: 35) Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “I paraqitet Allahu besimtarëve në Xhenet çdo xhuma.”(sh.p.)

    [31] Buhariu (858), Muslimi (846).

    [32] Ebu Davud (354), Tirmidhiu (497), Nesaiu (1380), shejh Albani e vlerësoi të mirë.

    [33] Shih: El-Ihtijarat El-Fik’hije (fq. 17), El-Insaf, Imam El-Merdavij (1/247).

    [34] Shih: El-Mugni (3/227), El-Mexhmua (4/534), Fetava Ibën Uthejmin (16/142).

    [35] Shih: El-Mugni (3/228), Fetava Ibën Baz (12/406), Fetava Ibën Uthejmin (14/302, 16/137).

    [36] Për qëllim është pastrim sa të mundet i trupit dhe largim i papastërtisë, dhe këtu përfshihet edhe prerja e thonjve dhe largimi i qimeve në vendet e turpshme dhe nënsqetulla, të gjitha këto janë nga pastrimi. (sh.a.)

    [37] I lyen me vaj qimet e flokëve apo të mjekrës duke i krerë ato. (sh.a.)

    [38] Buhariu (883).

    [39] Ebu Davudi (343), shejh Albani e vlerësoi të mire.

    [40] Buhariu (880), Muslimi (846).

    [41] Buhariu (881), Muslimi (850).

    [42] Buhariu (3211), Muslimi (850).

    [43] Si shembulli: lindja e diellit është në ora 6 të mëngjesit dhe ezani i xhumasë thirret në ora 13 në mesditë, kështu që në mes tyre ka 7 orë. Këto 7 orë i ndan në pesë pjesë dhe i bie që çdo pjesë të jetë 1 orë e 40 minuta (7:5=1.4). Pastaj e llogarit prej te lindja e diellit që është në ora 6 dhe e shumon me 1 orë e 40 minuta dhe del që koha e parë të jetë prej ora 6 e deri në ora 7.40. Koha e dytë fillon në ora 7.40 dhe përfundon në 9.20, dhe kështu me radhë. (sh.p.)

    [44] Shih: El-Istidhkar, Ibën Abdulbir (2/6), Fet’hul Barij, Ibën Rexheb (8/100), Fetava Ibën Uthejmin (16/140).

    [45] Ebu Davud (345), Tirmidhiu (496), Nesaiu (1381), Ibën Maxhe (1087), hadithi është në Sahih Et-Tergib (690).

    [46] E përcjell El-Mul’la Alij El-Karij nga disa imam, shih: Mirkatul Mefatih (3/1035).

    [47] Ebu Davud (345), Tirmidhiu (496), Nesaiu (1381), Ibën Maxhe (1087), Sahih Et-Tergib (690).

    [48] Shih: El-Mugni (3/167).

    [49] Buhariu (6316), Muslimi (763).

    [50] Shih: El-Mugni (3/164).

    [51] Shih: El-Mexhmua, Imam Neveviu (4/546).

    [52] Ebu Davud (345), Tirmidhiu (496), Nesaiu (1381), Ibën Maxhe (1087), Sahih Et-Tergib (690).

    [53] Shih: Hashijetu Es-Sindij ala sunen Ibën Maxhe (1/338).

    [54] Buhariu (883).

    [55] Muslimi (857).

    [56] Muslimi (881).

    [57] Buhariu (937), Muslimi (882) dhe shtojca e shënuar është e tij.

    [58] Muslimi (882).

    [59] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (3/248), Zadul Mead (1/425).

    [60] Buhariu (935), Muslimi (852).

    [61] Zadul Mead (1/377, 382), Fet’hul Barij, Ibën Haxheri (2/416, 421).

    [62] Ebu Davudi, (1048), shejh Albani e saktësoi.

    [63] Muslimi (853).

    [64] Tefsir El-Bagavij (8/490).

    [65] Zadul Mead (1/386).

  • GRATË E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT,  LAVDIA DHE PAQJA E ALLAHUT QOFSHIN MBI TË

    GRATË E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT, LAVDIA DHE PAQJA E ALLAHUT QOFSHIN MBI TË

    Me ecjen pas gjurmëve të grave më të mira që jetuan në kohën më të mirë, në periudhën më të mirë, u edukuan në shtëpinë më të mirë, shtëpinë e profetësisë, gruaja muslimane është gruaja më e lumtur në mesin e grave tjera.

    Allahu grave që jetuan në shtëpinë e profetësisë ua ngriti pozitat, ua rriti vlerën dhe zbriti ajete në Kur’an me lavdërimin e tyre. Allahu tha: “O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera.Nëse I frikësoheni Allahut”. (El-Ahzab: 32) Ishin bashkëshorte të bekuara dhe gra madhështore!

    E para nga ato ishte Hadixhe bint Huvejlid, Allahu qoftë i kënaqur me të. Një grua e mençur, mendjemprehtë, me fe e me moral dhe me prejardhje të mirë. U rrit duke u pajisur me cilësi të moralit të mirë dhe duke u edukuar me edukatë të lartë. U përshkrua me ndershmëri dhe me turp, thirrej në mesin e grave të Mekës si e “Pastra”. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u martua me të dhe ishte me te vërtetë grua e bereqetshme për të. E strehoi me veten e saj dhe me pasurinë e saj dhe me mendjemprehtësinë e saj. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur pikëllohej strehoj tek ajo dhe ia rrëfente brengat e veta. Në fillim kur zbriti shpallja u kthye te ajo, me zemër të frikësuar nga ajo që e pa, dhe i tha: “Kam frikë se do të më ndodhë gjë.” Ndërsa Hadixhja i tha: “Kurrë! (Betohem) për Allah! Allahu kurrë nuk do të të poshtërojë, sepse ti, me të vërtetë, mban lidhje të mira me farefisin, ndihmon të varfrit dhe i mban të këputurit, i pret mirë miqtë dhe u gjendesh pranë nevojtarëve në fatkeqësi”.

    Ishte e para që besoi nga ky umet! Ibën Ethiri, Allahu e mëshiroftë, tha: “Hadixhja ishte krijesa e parë e Allahut, që u bë muslimane, dhe në këtë janë unikë të gjithë muslimanët. Para saj nuk kishte as burrë e as grua që ishin muslimanë”.

    Kur iu shtuan vështirësitë të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në fillim të thirrjes së tij dhe iu shtuan dhembjet, ajo ishte me të zemërbutë dhe e vendosur. Çdo herë kur dëgjonte nga njerëzit diçka të keqe, kthehej tek ajo, dhe ajo e qetësonte dhe e përforconte. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Besoi tek unë kur të tjerët më mohuan, pohonte se ç’thoja kur të tjerët më lanë në baltë, më ndihmoi me pasurinë e saj dhe Zoti caktoi të kisha me të fëmijë.

    Grua madhështore dhe respektuese e burrit të saj dhe nënë e dashur. Të gjithë fëmijët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishin nga ajo, përveç Ibrahimit. Edukata e saj ishte e lartë dhe morali i saj madhështor. Asnjë ditë na ditët nuk e ngriti zërin ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe nuk e dëmtoi në asnjë lloj mënyre! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Më erdhi Xhibrili, alejhi selam, dhe më tha: Përgëzoje me Xhenet ku nuk do të ketë as zhurmë e as ushtimë!”.

    Suhejlij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “E përgëzoi me shpi në Xhenet, sepse ajo nuk e kishte ngritur zërin e saj ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe nuk e kishte munduar asnjë ditë nga ditët dhe nuk i kishte bërtitur dhe asnjëherë nuk e kishte dëmtuar”.

    Ishte e dashur tek Zoti i saj. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Xhibrili më tha: Nëse vjen Hatixheja dërgoji selam nga Zoti i saj dhe nga unë”.

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: Kjo është nder që nuk i është dhënë ndonjë gruas tjetër.

    Allahu e donte dhe e donin melekët dhe e donte i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe thoshte: “Më është dhuruar dashuria e saj”.

    Kur e përmendte e lartësonte emrin e saj dhe e falënderonte shoqërimin e saj. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk ndalej nga të lavdëruarit e saj dhe të kërkuarit falje për të.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk e harronte dashurinë dhe sakrificën e saj dhe pas vdekjes së saj ishte bujar me shoqet e saj. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte se kur therte dele, i copëtonte pjesët e saj, e pastaj ia dërgonte shoqeve të saj. Unë i thosha sikur se të mos ketë grua tjetër në dynja, përveç Hadixhes, e ai ma kthente: “Ajo ishte dhe ishte, fëmijët i kisha me të”.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e dëgjoi zërin e motrës së saj pas vdekjes së saj, dhe u mërzit tepër dhe tha: “Ma rikujtoi Hadixhen”.

    Ishte e përsosur në fenë e saj dhe në mendjen e saj dhe në moralin e saj. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thoshte: “Nga burrat janë përsosur shumë syresh, por nga gratë nuk janë përsosur veçse tri: “Asija, gruaja e faraonit, Merjeme bint Imran dhe Hadixhja bint Huvejlid”.

    Ia tejkaloi grave të këtij Umeti në meritë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Gruaja më e mirë e kohës së saj është Mejrem bint Imrani, kurse gruaja më e mirë e kësaj kohe është Hadixhe bint Huvejlidi”.

    E përmirësoi veten dhe shtëpinë e saj dhe erdhi edhe fryti i mundit të saj. Ajo dhe vajza e saj janë ndër gratë më të mira të botëve në Xhenet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thoshte: “Gratë më autoritative në Xhenet janë Merjemi, nëna e Isait, alejhi selam, Fatimja, bija e Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, Hadixhja, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe Asija, gruaja e Faraonit”.

    Ishte madhështore në zemrën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Nuk u martua me asnjë grua tjetër para saj, dhe derisa ishte me të nuk u martua me grua tjetër dhe u mërzit tepër kur ndërroi jetë. Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ishte grua e mençur, madhështore, me fe të pastër, e ndershme, fisnike nga banorët e Xhenetit”.

    Në shtëpinë e drejtësisë dhe devotshmërisë lindi Aishja, e bija e Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me ta. U rrit në një shtëpi ku dominonte imani dhe feja. Nëna e saj ishte sahabeshë, motra e saj ishte Esmaja sahabeshë, vëllai i saj ishte sahabij, kurse prindi i saj ishte “i sinqerti” i këtij umeti. U rrit me një shtëpi ku dominonte dituria. Prindi i saj ishte dijetari i kurejshëve dhe ishte njohësi më i mirë i gjenealogjisë së tyre. Allahu i kishte dhuruar mençuri dhe mundësi për të nxënë përmendësh. Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ka pasur nëpër umete si Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, në nxënie përmendësh, dhe në dituri, dhe oratori dhe mençuri”.

    Ia tejkaloi grave me dituri dhe urtësi, dhe ju dhurua të kuptuarit e thellë të fesë dhe të nxëniesh përmendësh të poezive. Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Aishja ishte gruaja më e ditur e Umetit, dhe nuk di grua, jo vetëm në Umetin e Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, po në përgjithësi, më të ditur se sa ajo”.

    Ia tejkaloi grave me meritat e saj dhe me shoqërimin e saj të mirë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Aishja është superiore ndaj grave tjera sikur që tharidi (një lloj gjelle që bëhet në Arabi) është superior ndaj ushqimeve tjera”.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e donte shumë. Amru ibën As, Allahu qoftë i kënaqur me të, e pyeti të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se kush nga njerëzit është më i dashur tek ti?! U përgjigj: “Aishen”. Amru ibën Asi i tha edhe një herë: “Ndërkaq, kë e do më së shumti prej meshkujve?”. Iu përgjigj: “Babën e saj, Ebu Bekrin!”

    Nuk u martua me beqare nga gratë përveç se me atë. Ishte e ndershme, adhuruese, nuk dilte nga shtëpia e saj përveç se natën që mos ta shohin burrat, Thotë për vetveten e saj: “Nuk dilnim përveç se natën”. Kështu e realizonin dhe e nxjerrin në vepër fjalën e Allahut: “Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes”. (El-Ahzab: 33)

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: Sheriati urdhëron gratë që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, dhe të ruajnë veten e tyre dhe mos të dalin nga to përveç se kur kanë nevojë. Dhe nëse kanë nevojë për të dalë jashtë le të mbulohen plotësisht”.

    Allahu e sprovon atë që e do dhe sprova vjen sipas imanit të robit. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, u sprovua me shpifje në nderin e saj. Ajo vet thotë: “Gjithë atë ditë unë vazhdova të qaj, aq sa lotët nuk mu ndalën dhe nuk vura gjumë në sy. Në mëngjes prindërit e mi ishin me mua. Kisha qarë dy net dhe një ditë, aq sa mu duk se nga e qara do të më plaste mëlçia”.

    Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu xhelozoi për të. E shfajësoi në dhjetë ajetet që do të lexohen deri në Ditën e Kiametit, ia ngriti çështjen e saj, ia mbrojti nderin e saj, dëshmoi se është nga të ndershmet dhe i premtoi falje dhe furnizim të bollshëm”.

    I shërbeu të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe e shoqëroi atë derisa ndërroi jetë në shtëpinë e saj dhe në natën e saj dhe në prehrin e saj.

    Seudah bint Zumah, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte gruaja me të cilën u martua i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, pas vdekjes së Hatixhes. Ishte grua me zemër të pastër, e ndershme dhe bujare. Nga dashuria që e ndjente ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ia dhuroi natën e saj Aishes, duke shpresuar për këtë vepër shpërblim tek Allahu.

    Hafsa, e bija Omer ibën Hatabit, Allahu qoftë i kënaqur nga ata, ishte gruaja tjetër me të cilën u martua i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Njihej si grua që e adhuron Allahun tepër dhe u rrit në shtëpi ku dominonte feja dhe e vërteta. Shtatë anëtarë nga familja e saj ishin pjesëmarrës në luftën e Bedrit. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, për të thoshte: “Hafsa ishte ajo që më konkurronte nga gratë e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të”.

    Zejneb bint Huzejme el Hilalijeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, e njohur si dorëdhënëse e madhe dhe si e shpejtë në adhurime. Jetoi me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, vetëm se dy muaj dhe pastaj ndërroi jetë.

    Remleh bint Ebu Sufjan, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila njihej me emrin Ummu Habibeh. Njihej me durimin e saj dhe ishte nga të gjitha gratë e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, më afër tij me prejardhje. Dallohej nga gratë e tjera për ka lëmosha, jepte më shumti se sa të tjerat.

    Hind bint Ebu Umujes, e njohur me emrin Ummu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur me të. Ishte nga gratë e para që emigroi për në Medine, mirëpo kur deshi të niset me burrin e saj Ebu Seleme, populli i saj i ndau Ummu Selemen dhe burrin e saj dhe fëmijën e saj. Thotë: Për çdo ditë dilja dhe ulesha me një luginë dhe qaja, dhe kështu vazhdova për një vjet apo afër një viti, derisa ju erdh keq për mua dhe ma kthyen fëmijën.

    Bindja e saj në Allahun ishte e madhe. Burri i saj i ndërroi jetë dhe ajo u mërzit tepër. Iu drejtua Zotit të saj me një lutje profetike dhe Allahu ia zëvendësoi me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për burrë. Thotë e dëgjova të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: “Çdo person, të cilin e godet një fatkeqësi dhe thotë: “Të Allahut jemi dhe etëm tek Ai do të kthehemi. O Zot më jep shpërblim nga fatkeqësia që më ka rënë dhe ma zëvendëso këtë (fatkeqësi) me një më të mirë”, pa dyshim Allahu ka për ta shpërblyer dhe ka për t’ia zëvendësuar me një më të mirë se ajo”. Dhe kur ndërroi jetë Ebu Seleme thashë në vete se ku ka musliman më të mirë se sa Ebu Seleme, i cili ishte prej të parëve që emigroi për te i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të?! Pastaj e bëra atë lutje dhe Allahu ma mundësoi të martohem për të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

    Pra ruaje këtë dua dhe thuaje kur të sprovohesh me qëllim që Allahu ta zëvendësojë me diçka më të mirë!

    Zejneb bint Xhehsh, që njihej si nëna e të mjerëve, Allahu qoftë i kënaqur me të. U martua me të Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me citat prej Kur’anit prej anës së Allahut, pa përgjegjës dhe pa dëshmitarë. Allahu tha: “E, pasi Zejdi bashkëjetoi me gruan e vet dhe u nda prej saj, Ne ta dhamë ty për bashkëshorte”. (El-Ahzab: 37) Martesa e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është e bekuar për gratë muslimane deri në Ditën e Kiametit, sepse pasi që u martua me të u detyrua hixhabi për të gjitha bijat e Havës, që të jetë mbrojtje për nderin e tyre dhe dëlirësi për shpirtrat e tyre!

    Ishte bujare ndaj të varfërve dhe të mjerëve, jepte shumë lëmoshë dhe ishte bamirëse. Edhe përskaj pozitës së lartë që e kishte, ajo vet punonte dhe jepte lëmoshë nga përfitimi i saj. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: Nuk kam parë grua më të mirë në fe se Zejnebi. I frikohej shumë Allahut dhe ishte e sinqertë në fjalimin e saj, e vizitonte shumë farefisin dhe jepte shumë lëmoshë!

    Xhuvejrije bint Harith, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga fisi Beni Mustalik. Ishte adhuruese e madhe e Allahut. Prindi i saj ishte zotëri që respektohej në fisin e vet, kurse ajo ishte e bekuar në veten e saj dhe për familjen e saj. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, për të thotë se nuk kam parë grua më të bekuar për popullin e saj se sa Xhuvejrija!

    Ajo ishte që e adhuronte Allahun tepër, ulej në faltoren e saj dhe e përmendte Allahun deri në drekë. Ajo thotë se një ditë më erdhi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e unë isha duke bërë dhikër, e pastaj shkoi për nevojat e veta, dhe më vonë u kthye afër drekës dhe tha: “Ende vazhdon të jesh ulur”, d.m.th. ende vazhdon ta përmendsh Allahun. I thash: Po!

    Safije bint Hujej, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila ishte prej pasardhësve të Harunit, alejhi selam. Ishte e ndershme, e mençur, mendjemprehtë dhe me fe dhe me pozitë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Ti je bija e Pejgamberit (qëllimi është je prej pasardhësve të Harunit, alejhi selam), dhe axha yt ka qenë pejgamber (Musa, alejhi selam) dhe ti je martuar me pejgamber”.

    Dasma e tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me Safijen ishte shumë e thjeshtë dhe modeste, mirëpo e bereqetshme!

    Mejmune bint Harith, Allahu qoftë i kënaqur me të. Njihej si grua që e respektonte shumë farefisin dhe ishte nga gratë më madhështore. Allahu i kishte dhuruar zemër të pastër dhe shpirt të mirë dhe ishte e kapur për adhurime. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, për të thotë dallohej nga ne për ka frika ndaj Allahut dhe për ka vizita e farefisit!

    O muslimanë, kjo ishte biografia e grave më të ndershme, e nënave të besimtarëve. Meritat e tyre janë madhështore dhe gratë e muslimanëve detyrohen t’i marrin ato si shëmbëlltyrë jete, t’i pasojnë ato në fe dhe në moral dhe në respekt, në dhënien e lëmoshës, në bamirësi dhe në adhurime, në përmbajtjen e gjuhës, në durim dhe në kërkim të diturisë, në dëlirësi dhe në nder nëse do lumturi.

    Gratë e të Dërguarit të Allahut jetuan me të në shtëpi modeste, të ndërtuara me qerpiç dhe me kulm nga fletët e pallmës, mirëpo të mbushura me iman dhe devotshmëri. Ishin durimtare së bashku me të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në varfri dhe skamje. Kishte rast kur një muaj apo dy muaj nuk ndizej zjarri në shtëpinë e tyre. Kishte ditë kur nuk kishin në shtëpitë e tyre përveç se një hurmë, kishte raste kur kalonte një periudhë dhe nuk kishin përveç se ujë pa ushqim. Të gjitha i duronin me bindje dhe shpresë në premtimin e Allahut: “Natyrisht, jeta e ardhshme për ty është më e mirë se kjo jetë”. (Ed-Duha: 4)

    Shpërblimet e tyre janë të dyfishuara: “Ndërsa atyre prej jush që binden ndaj Allahut e të Dërguarit të Tij dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’u japim shpërblim të dyfishtë e u kemi përgatitur begati të mëdha”. (El-Ahzab: 31)

    Pesë nga ato i martoi duke qenë ato në moshë mes të dyzetave dhe të gjashtëdhjetave. Me këtë e realizoi përkujdesjen e të vejave dhe të fëmijëve të tyre jetimë. E martoi Hadixhen dhe ajo ishte dyzet vjeçare, dhe ajo i kishte tre fëmijë me burrë tjetër, kurse ai ishte i pamartuar. E martoi Zejnebin dhe ajo ishte e vejë dhe ishte afër të gjashtëdhjetave. E martoi Ummu Selemen dhe ajo ishte e vejë me gjashtë fëmijë, dhe e martoi Seudën dhe ajo ishte e vejë dhe i kishte pesëdhjetë e pesë vite.

    Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte burrë i butë, fisnik, bujar, bamirës, i butë me to dhe i sjellshëm me to. Kush kërkon lumturinë le ta merr si yrnek Muhamedin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe çdo grua që kërkon lumturinë le t’i merr si yrnek nënat e besimtarëve në adhurim, në nder, në devotshmëri dhe në bamirësi.

    Dr. Abdulmuhsin El Kasim

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU