Category: Mirësjellja – Edukata fetare

  • MUAJI REXHEB – DISPOZITA DHE DOBI

    MUAJI REXHEB – DISPOZITA DHE DOBI

    1. Muaji Rexheb është muaji i shtatë në radhë nga dymbëdhjetë muajt e vitit hixhri. Emri i tij buron nga fjala ‘et-terxhib’ që do të thotë nderim apo madhështim, kjo, sepse në periudhën para Islamit, arabët e madhështonin dhe nuk e lejonin luftën në këtë muaj.[1]

    E quanin edhe ‘rexheb el-esam’ (Rexhebi i Shurdhër – sh.p.), shkaku se nuk dëgjoheshin lëvizjet e luftimeve dhe as zëri i armëve dhe shkaku se është një nga muajt e shenjtë (ku në to ndalohet lufta -sh.p-), pra njëlloj si i shurdhri, që nuk dëgjon.[2]

    E quanin edhe ‘munsil el-esine’ që do të thotë nxjerrës i shtizave dhe i shigjetave nga vendi i tyre, sepse me hyrjen e muajit Rexheb, largoheshin e pushonin shtizat dhe majat e shigjetave, shkaku i anulimit të luftimeve në shenjë nderi dhe madhështimi për këtë muaj.[3]

    1. Muaji Rexheb është nga muajt e shenjtë që në numër janë katër dhe si muaj vjen i katërti me radhë, pas muajit Dhulkade, Dhulhixhe dhe Muharrem, e pastaj vjen muaji Rexheb, ashtu siç Allahu thotë: “Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur i krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë.” (Et-Teube: 36)

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Koha (viti) është kthyer përsëri, siç ka qenë në fillim kur Allahu i krijoi qiejt dhe tokën. Viti ka dymbëdhjetë muaj, katër janë të shenjtë, tre nga ata janë radhazi: Dhulkade, Dhulhixhe dhe Muharrem, kurse muaji Rexheb është ndërmjet muajit Xhumada dhe Shaban.”[4]

    1. Këta katër muaj të shenjtë, ku në mesin e tyre bën pjesë edhe muaji Rexheb, janë muaj të mëdhenj tek Allahu. Në ta ndalohet dëmtimi i vetes me bërjen e mëkateve dhe tejkalimin e kufijve, ashtu siç Allahu thotë: “…Prandaj, mos i bëni vetes dëm…” (Et-Teube: 36); do të thotë mos i bëni dëm vetes në këta muaj, sepse mëkati në këta muaj është më i rëndë dhe më i madh në peshë sesa mëkati që bëhet në muajt e tjerë. Padrejtësia dhe bërja e mëkatit, janë të ndaluara në të gjithë muajt dhe jo vetëm në muajt e shenjtë, mirëpo shkaku i madhështisë dhe shenjtërisë që e kanë këta muaj tek Allahu, bërja e mëkatit në ta është më e ndaluar.

    Katade, Allahu e mëshiroftë, tha: “Padrejtësia që bëhet gjatë muajve të shenjtë është më e madhe si gabim dhe gjynah karshi padrejtësisë që bëhet gjatë muajve të tjerë, edhe pse padrejtësia si mëkat është i madh në çdo kohë dhe në çdo gjendje, por Allahu madhështon nga çështja e Tij çfarë të dëshirojë.”[5]

    1. Myslimani detyrohet t’i nderojë muajt e shenjtë duke i respektuar në ta kufijtë e Allahut, me kryerjen e detyrimeve dhe zbatimin e obligimeve të Tij, me përkujdesjen për t’iu nënshtruar dhe për ta adhuruar ashtu siç e bën të kënaqur Allahun, dhe duke qenë i kujdesshëm nga dëmtimi i vetes me shkeljen e ndalesave të Allahut, veprimin e veprave që e detyrojnë zemërimin e Allahut dhe tejkalimin e kufijve të Tij, veçanërisht gjatë këtyre muajve po dhe gjatë muajve të tjerë në përgjithësi.
    2. Nuk është përcjellë asnjë hadith (i saktë) që në veçanti flet për vlerën e muajit Rexheb.

    Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, tha: “Nuk përcillet asnjë hadith i saktë që lejohet të argumentohet me të për vlerën e muajit Rexheb, as për agjërimin e tij, as për agjërimin e ndonjë dite prej tij në veçanti dhe as për veçimin e netëve të tij me namaz nate.”[6]

    1. Muaji Rexheb nuk lejohet të dallohet me ndonjë adhurim të veçantë dhe të mendohet se adhurimi në këtë muaj ka specifikë të veçantë, si: agjërimi i disa ditëve të tij, apo falja e namazit të natës në disa net të tij, apo lutja me dua të posaçme duke e pasur mendimin se këto adhurime kanë vlerë të veçantë në muajin Rexheb. Të gjitha këto janë nga risitë në fe.

    Nuk ka dallim në shkallë dhe vlerë asnjë kohë karshi kohës tjetër, përveç asaj kohe që e ka veçuar Allahu me ndonjë lloj të adhurimit.

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dallimi me adhurim i ndonjë sezone që nuk është prej sezonave sheriatike, si: i disa netëve të muajit Rebiul Evel, ku për to thuhet se janë nata e mevludit, apo i disa netëve të muajit Rexheb, është nga risitë në fe dhe të parët tanë të mirë as nuk e kanë pëlqyer dhe as që kanë vepruar kësisoj.”[7]

    1. Nuk lejohet që muaji Rexheb të veçohet me agjërim karshi muajve të tjerë, duke menduar se agjërimi në këtë muaj ka vlerë të veçantë, mirëpo, nëse myslimani agjëron në muajin Rexheb shkaku se është nga muajt e shenjtë, dhe po ashtu ka agjëruar edhe në muajt e tjerë të shenjtë, në këtë rast nuk ka pengesë dhe kjo duke u bazuar në hadithin që përcillet se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Agjëroji disa ditë dhe braktisi disa ditë të tjera nga muajt e shenjtë.”[8] Po ashtu lejohet edhe atëherë kur myslimani agjërimit të muajit Rexheb ia bashkëngjit agjërimin e muajit Shaban dhe Ramazan, ndërsa të veçohet muaji Rexheb me agjërim, kjo nuk është e ligjshme.

    Ajo që është e ligjshme të veprohet nga agjërimi në muajin Rexheb është ajo e njëjta që është e ligjshme të veprohet edhe në muajt e tjerë, si: agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte, agjërimi i tri ditëve të bardha, apo agjërimi një ditë po dhe një ditë jo.

    Është vërtetuar se Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, atyre që nuk hanin në muajin Rexheb e qëllonte kah duart derisa i vendosnin dhe i afronin tek enët e ushqimit dhe u thoshte: “Hani, sepse ky është muaj që në periudhën para Islamit njerëzit e madhështonin dhe e nderonin.”[9]

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e ndaloi agjërimin e muajit Rexheb në tërësi, që ky muaj të mos merret për festë.”[10]

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Të gjitha hadithet që kanë ardhur për ta veçuar muajin Rexheb me agjërim janë të dobëta, madje të shpikura dhe dijetarët nuk e marrin për bazë asnjë hadith prej tyre dhe ato nuk janë nga hadithet e dobëta që përcillen dhe kanë të bëjnë me vlerat, por në përgjithësi janë të shpikura dhe gënjeshtra.”[11]

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Çdo hadith, ku në të është përmendur agjërimi i muajit Rexheb dhe namazi i natës në disa net të tij, është hadith i rrejshëm dhe i shpikur.”[12]

    Po ashtu Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nuk i ka agjëruar tre muajt rishtazi, d.m.th. Rexhebin, Shabanin dhe Ramazanin, ashtu siç veprojnë disa njerëz, dhe nuk e ka agjëruar muajin Rexheb kurrë dhe as që e pëlqeu agjërimin në të.”[13]

    1. Kush zotohet ta agjërojë muajin Rexheb, zotimin e tij duhet ta thyejë dhe ta shpaguajë, sepse të veçuarit e muajit Rexheb me agjërim është një nga veprimet e periudhës para Islamit. Zotimi i tillë është i urryer dhe myslimani nuk detyrohet ta zbatojë dhe ta realizojë atë.[14]
    2. Nuk është vërtetuar se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e ka bërë umren në muajin Rexheb, madje këtë e mohoi vetë Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj. Kur u pyet Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, për të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, sa herë e ka bërë umren, u përgjigj: “Katër herë dhe njëra ishte në muajin Rexheb”. Ky lajm i shkoi Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, dhe për këto fjalë të Abdullah ibën Omerit, ajo tha: “Allahu e mëshiroftë, Ebu Abdurrahmanin (d.m.th. Abdullah ibën Omerin). Sa herë që i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e ka bërë umren, vetëm se Abdullahu ka qenë me të, por i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nuk ka bërë umre në muajin Rexheb asnjëherë”. Abdullah ibën Omeri i dëgjoi fjalët e saj dhe as nuk i mohoi dhe as nuk i pohoi fjalët e saj, po heshti.”[15]

    Kjo çështje iu ngatërrua, harroi apo dyshoi Abdullah ibën Omeri, prandaj edhe heshti dhe nuk i tha gjë Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.[16]

    1. Përcillet për disa nga sahabët dhe tabi’inët se e pëlqenin bërjen e umres në muajin Rexheb, shkaku se është muaj i shenjtë dhe i respektuar dhe bie në mes të muajve të vitit. Nga ata që e kishin këtë mendim janë: Omer ibën Hatabi, i biri i tij Abdullahu, Aisha, El-Esued En-Nahaij, El-Kasim ibën Muhamed dhe të tjerë, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. Po ashtu Ibën Sirini përcjell se të parët tanë të mirë e bënin umren në muajin Rexheb.[17]

    Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Të parët tanë të mirë, Allahu i mëshiroftë, kanë pasur mospajtim në mes tyre se kryerja e umres në muajin Rexheb a është prej suneti apo jo?! Disa thanë që është prej suneti, e disa të tjerë thanë që nuk është prej suneti, ngase po të kishte qenë nga suneti, i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kishte për ta qartësuar, ose me thënie, ose me vepër, kurse unë nuk shoh që ka argument të qartë që aludon se pëlqehet bërja e umres në muajin Rexheb.”[18]

    1. Nga risitë që veprohen në muajin Rexheb është falja e namazit të Regaibit. Ky namaz falet në natën e xhumasë së parë të muajit Rexheb, falet dymbëdhjetë rekate dhe falet në mes të namazit të akshamit dhe të jacisë, i paraprin agjërimi i ditës së enjte, e cila në fakt është e enjtja e parë e muajit Rexheb.

    Falja e këtij namazi është risi e keqe dhe e urryer. Dijetarët paralajmëruan nga kjo risi dhe hadithi që përcillet për këtë namaz është i rrejshëm, i shpikur dhe nuk është vërtetuar se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e ka falur këtë namaz, apo ndokush nga sahabët, tabi’inët dhe imamët e umetit.[19]

    1. Nga risitë e tjera që veprohen në muajin Rexheb është falja e namazit i quajtur ‘Umu Davud’, i cili falet në mes të muajit Rexheb.
    2. Përcillet se në muajin Rexheb kanë ndodhur ndodhi të mëdha, si: lindja e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në natën e parë, shpallja i ka zbritur me njëzet e shtatë apo me njëzet e pesë, mirëpo këto të dhëna të gjitha janë të pasakta dhe nuk ka të vërtetë asgjë nga kjo.[20]
    3. Saktësisht nuk është vërtetuar se Israja dhe Miraxhi kanë ndodhur në muajin Rexheb apo me njëzet e shtatë të këtij muaji. Ajo që dihet saktë është se dijetarët janë në mospajtim dhe janë të ndarë në shumë mendime rreth asaj se kur saktësisht kanë ndodhur Israja dhe Miraxhi dhe një numër i madh prej tyre e dobësojnë mendimin që kjo ndodhi të ketë ndodhur në muajin Rexheb.[21]

    Edhe po që se vërtetohet se Israja dhe Miraxhi kanë ndodhur në muajin Rexheb, nuk lejohet që nata e njëzet e shtatë e muajit Rexheb të veçohet me festë apo të shtohet diçka më tepër nga adhurimi karshi netëve të tjera. Kjo e tëra është nga risitë, sepse nuk është vërtetuar me asnjë argument të saktë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, sahabët dhe tabi’inët e kanë veçuar dhe dalluar këtë natë. Po të ishte kjo e vërtetë dhe po të kishte ndonjë të mirë, ata kishin për ta vepruar shumë më herët se ne.

    1. Nga risitë e tjera që veprohen gjatë muajit Rexheb janë:

    – Të veçuarit e dhënies lëmoshë në muajin Rexheb për shpirtrat e të vdekurve.

    – Të veçuarit e vizitës së varrezave në muajin Rexheb, megjithëse në esencë vizita e varrezave bëhet në çdo kohë gjatë tërë vitit.

    – Të veçuarit e muajit Rexheb me lutje të veçanta dhe të shpikura enkas për këtë muaj.

    – Vizita e xhamisë profetike në Medine gjatë muajit Rexheb me bindje se ka vlerë të posaçme. Këtë vizitë e quajnë, ‘ez-zijaretu er-rexhebije (vizita e muajit Rexheb, – sh.p.-).

    – Të veçuarit e muajit Rexheb me dhënien e zekatit të pasurisë, duke e përjashtuar nxjerrjen e tij në muajt e tjerë, edhe pse realisht zekati detyrohet të jepet atëherë kur plotësohen kushtet, sasia e caktuar dhe kalimi i një viti, pavarësisht muajit.

    1. ‘El-Atira’ apo ‘Er-Rexhebije’ quhet kafsha, të cilën e thernin arabët në periudhën para Islamit në muajin Rexheb dhe këtë e kishin bërë traditë të veten, ngjashëm me therjen e kurbanit për Kurban Bajram.[22]

    Dijetarët janë në mospajtim në mes tyre për sa i përket dispozitës shkaku i haditheve të ndryshme që janë transmetuar për të, ajo më e sakta është se, kjo vepër nuk pëlqehet të veprohet dhe urrehet të bëhet dhe kjo është më së paku që mund të thuhet për këtë vepër.

    Islami veprimin e tillë e hodhi poshtë dhe e vlerësoi si të kotë, bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Nuk ka ‘ferea’ (kafsha që theret për idhujt) dhe as ‘atira’.

    Imam Ez-Zuhrij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “El-Ferea është kafsha e parë që lindte nga ndonjë deve dhe atë e thernin për idhujt e tyre, kurse el-atira është kafsha që theret në muajin Rexheb.”[23]

    Mospëlqimi edhe më tepër vërtetohet kur kafsha theret në fillim të muajit Rexheb dhe njerëzve u thuhet se kjo nuk është problem. Shpirtrat anojnë të veprojnë vepra të tilla dhe ndoshta muaji Rexheb fillon t’i ngjajë muajit të therjes së kurbaneve, muajit Dhulhixhe, dhe njerëzit për këtë shkak fillojnë t’i shtojnë therjet, derisa kjo të mbetet dukuri dhe rit nga ritet fetare, gjë që padyshim është e ndaluar.”[24]

    1. Kush do të therë kafshë le ta therë për Allahun dhe në çfarëdo muaj pa e veçuar therjen me muajin Rexheb. Ka ardhur me një hadith se një burrë në Mina thirri dhe tha: O i Dërguar i Allahut! Ne në kohën para Islamit në muajin Rexheb thernim ‘atira’ (kafshë që e thernin në muajin Rexheb), çka po na urdhëron të veprojmë? – I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Thereni kafshën, për hir të Allahut, në çfarëdo muaji që jeni, bindjuni Allahut duke i zbatuar urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave dhe ushqeni (të varfrit dhe të mjerët).”[25]
    2. Ai që ther kafshë në muajin Rexheb, apo e ther të voglin e devesë, shkaku se ka nevojë për të, apo për ta dhënë mishin e saj lëmoshë, apo për ta ushqyer veten dhe familjen e tij, therja e tij në Rexheb nuk urrehet, mirëpo nuk duhet ta quajë therjen e kafshës ‘atira’.
    3. Muaji Rexheb është si parahyrje për në muajin Ramazan, prandaj është mirë që myslimani të parapërgatitet në muajin Rexheb për ardhjen e muajit Ramazan, ashtu siç tha Ebu Bekër El-Belhi, Allahu e mëshiroftë: “Muaji Rexheb është muaji i mbjelljes, muaji Shaban është muaji i ujitjes së farës dhe muaji Ramazan është muaji i korrjes së asaj që është mbjellë”.

    Dhe po ashtu tha: “Muaji Rexheb i shëmbëllen erës, muaji Shaban i shëmbëllen resë dhe muaji Ramazan i shëmbëllen shiut.”[26]

    Prandaj ai që nuk mbjell në muajin Rexheb dhe nuk ujit në muajin Shaban, si do të korrë në muajin Ramazan?!

    1. Hadithi: “O Allahu im! Na beko ne në Rexheb dhe Shaban dhe na e mundëso ta arrijmë muajin Ramazan”, është i dobët dhe si të tillë e vlerësuan: Imam Neveviu, Ibën Rexhebi, Albani dhe të tjerët.[27]

     

    E lusim Allahun që të na japë sukses dhe mbarësi në pasimin e sunetit, në atë që Allahu e do dhe është i kënaqur me të dhe e lusim të na largojë nga risitë dhe shpikjet në fe.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed Salih El-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Marrë nga libri : “Sezonet e adhurimit” (është i përkthyer në gjuhën shqipe)

     

    [1]Shih: Mekajisul Luga, Ibën Faris (2/495), Lisanul Arab, Ibën Mendhur (11/411).

    [2]Lisanul Arab (12/344).

    [3]Shih: Sahih Buhari (4377), Lisanul Arab (11/663).

    [4] Buhariu (3197), Muslimi (1679).

    [5] Tefsir et-Taberij (14/238), Tefsir Ibën Kethiri (4/148).

    [6] Tebjinu Axhebi bima uerede fi shehre Rexheb (fq. 11).

    [7] Mexhmual Fetava (25/298), vende-vende.

    [8]Ebu Davud (2428), shejh Albani hadithin e vlerësoi si të dobët.

    [9]Ibën Ebi Shejbe në El-Musanef (9851), shejh Albani e saktësoi në El-Irva (958).

    [10]Musanef Abdurrezak (7854).

    [11]Mexhmual Fetava (25/290).

    [12]El-Minar El-Munif fi Es-Sahih ue Ed-Daif (fq. 96).

    [13]Zadul Mead (2/61).

    [14]Shih: Fetava El-Lexhnetul Daime (23/220).

    [15] Buhariu (1775), Muslimi (1255).

    [16] Shih: Sherh Nevevij ala Sahih Muslim (8/234).

    [17] Shih: Musanef Ibën Ebi Shejbe (13497, 13499, 13500, 13501), Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 120).

    [18] Fetava Ibën Uthejmin (22/273).

    [19]Shih: El-Mexhmua, Imam Neveviu, (3/548), Sherh ala Sahih Muslim, Imam Neveviu (8/20), Mexhmual Fetava (23/134), El-Minar El-Munif, Ibën El-Kajim (Fq. 96).

    [20]Shih: Letaif El-Mearif (fq. 121).

    [21]Shih: El-Baith ala Inkar El-Bidai uel Hevadith, Ibën Ebi Shame (fq. 74), Fet’hul Barij, Ibën Haxher (7/203), Letaif El- Mearif (fq. 121).

    [22]Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (9/464).

    [23]Buhariu (5474), Muslimi (1976).

    [24]Esh-Sherh El-Mumtia (7/325).

    [25]Ebu Davudi (4229), Nesaiu (2830), Ibën Maxhe (3167), shejh Albani e saktësoi.

    [26]Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 121).

    [27]Transmeton Abdullah Ibën Ahmed në Zevaid ala El-Musned (2346), El-Bejhakij në Shuab El-Iman (3534), dhe shih: El-Edhkar, Nevevij (fq. 189), Letaif El-Mearif (fq. 121), Daif El-Xhamië (4395).

  • MOS SHPEJTO NË GJYKIM!

    MOS SHPEJTO NË GJYKIM!

    Rrëfehet për një plak se ishte ulur në tren së bashku me të birin, i cili asaj kohe i kishte arritur të njëzet e pestat. I biri atë ditë ishte shumë i lumtur dhe kjo vërehej edhe në fytyrën e tij të qeshur. Rrinte afër dritares dhe me gëzim të madh i përcillte gjërat, derisa e nxori dorën e tij jashtë dritares dhe e ndjente frymën duke i kaluar nëpër dorë.

    I buzëqeshur bërtiti:

    – Prindi im, shikoi të gjithë ato pemë si mbesin pas nesh.

    Plaku buzëqeshi me të birin dhe iu bashkëngjit gëzimit të tij.

    Afër tyre ishin të ulur dy bashkëshortë, të cilët e përcillnin dialogun mes prindit dhe të birit. Ata ranë në një pozitë jo të lakmueshme nga fakti se si një djalë njëzet e pesë vjeçar i bën këto gjeste.

    Papritmas bërtiti edhe një herë:

    – Prindi im, shiko liqenin e vogël dhe ato pata në të! Shikoji retë se si ecin me trenin së bashku!

    Bashkëshortët u habitën edhe më tepër nga fjalët e të riut. Filloi të bie edhe shi dhe pikat e shiut të bien në dorën e të riut, të cilit fytyra i buzëqeshte nga gëzimi.

    – Prindi im, bie shi! Dorën time e lagë shiu! Shikoje, o prindi im!, – bërtiti edhe një herë.

    Këtë herë bashkëshortët nuk mundën të heshtin dhe e pyetën plakun:

    – Pse nuk e vizitoni mjekun dhe nuk merrni ilaçe për shërimin e të birit?

    Plaku iu përgjigj:

    – Ne vetëm se jemi duke ardhur nga spitali, ku biri im, për herë të parë në jetën e tij ka mundësi të shohë.

    Mos i gjyko të tjerët vetëm nga pikëpamja jote! Gjithmonë ekziston diçka që ne nuk e dimë.

    Atëherë pse të mos kërkojmë falje nga të tjerët.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • VAJZA ME TË CILËN KEMI RA NË DASHURI TË GJITHË

    VAJZA ME TË CILËN KEMI RA NË DASHURI TË GJITHË

    Rrëfehet një djalë se i kishte pas thënë prindit të vet:

    – Dua ta martoj një vajzë e cila më mahniti me bukurinë e saj dhe më mahniti shkëlqimi i syve të saj.

    Prindi iu përgjigj me gëzim të madh duke i thënë:

    – Ku gjendet ajo vajzë që ta fejoj për ty, o biri im?

    Kur u nisën të dy së bashku dhe e pa prindi vajzën, u mahnit me të. Të birit i tha:

    – O biri im, dëgjo! Kjo vajzë nuk është e rangut tënd dhe ti nuk je i përshtatshëm për të. Këtë vajzë e meriton një burrë që ka përvojë në jetë që ajo t’i mbështetet atij. Kjo ka nevojë për një njeri si unë.

    Djali u habit nga fjalët e prindit të vet dhe i tha:

    – Jo, nuk është ashtu! Unë do ta martoj këtë vajzë, e jo ti, o prindi im!

    U zunë mes veti babë e birë, derisa shkuan në polici që ta rregullojnë problemin e tyre.

    Kur ia treguan policit rastin e tyre, polici u tha që ta sjellin vajzën në polici dhe ta pyesin se për cilin do të martohet, për babain apo për të birin.

    Kur e pa polici vajzën, u mahnit nga bukuria e saj dhe ra në sprovë. Atëherë u tha:

    – Kjo nuk është për juve, kjo është për një njeri me prestigj si unë.

    U zunë të tre dhe shkuan deri te ministri dhe kur e pa ministri vajzën, tha:

    – Këtë vajzë nuk e marton askush tjetër, përveç se një ministër si unë.

    Po ashtu ata u zunë mes tyre, derisa arriti çështja te emiri i vendit. Kur u paraqitën para tij, u tha se ai do ta zgjidhë problemin e tyre. Kur e sollën vajzën dhe e pa emiri, u fascinua nga bukuria e saj dhe tha:

    – Jo këtë vajzë nuk e marton askush tjetër, përveç se emiri i vendit.

    Ranë në polemikë mes veti se kush do ta martojë. Atëherë vajza foli dhe u tha:

    – Unë mundem ta zgjidhi këtë problem mes jush! Unë do të filloj të vrapoj dhe ju do të vraponi pas meje, dhe ai i cili më kapë i pari, ai do të më martojë.

    Dhe me të vërtetë, vajza filloi të vrapojë dhe të vrapojnë ata pas saj, djaloshi, prindi, polici, ministri dhe emiri, dhe papritmas duke vrapuar pas saj të gjithë ranë në një gropë të thellë! Vajza filloi t’i shikojë nga lart dhe t’u thotë:

    – A e kuptuat se kush jam unë?! Unë jam dynjaja.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • KI FRIKË ALLAHUN!

    KI FRIKË ALLAHUN!

    Disa njerëzve kur u thua: “Kini frikë Allahun!” Ta kthejnë: “Ti ki frikë Allahun!”

    Kjo sikurse të jetë një ofendim për ta dhe e refuzojnë.

    Allahu i tha të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “O i Dërguar, ki frikë Allahun.”[1]

    Jezid ibën Kemit, Allahu e mëshiroftë!, përcjellë se e dëgjoi një njeri duke i thënë Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë: “Ki frikë Allahun!”Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë!, nga këto fjalë u dridh, u zverdh dhe në fund tha: “Sa janë nevojtarë njerëzit që për çdo kohë ta kenë një njeri që ua thotë këto fjalë.”

    Allahu thotë: “Atij që i frikësohet Allahut, do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.”[2]

    Ne nuk duhet dhe s’dëshirojmë të jemi sikurse ata që Allahu i përmendi dhe tha: “Kur atij i thuhet “Ki frikë Allahun!”, ai mburret dhe bën më shumë të këqija. Atij i mjafton Xhehenemi. Eh, sa vendbanim i keq është ai vend!”[3]

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, tha: “Ki frikë Allahun kudo të jesh, pas një të keqe bëje një të mirë dhe sillu me njerëzit me moral të mirë.”[4]

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1]              (El-Ahzab:1)

    [2]              (Et-Talak: 2-3)

    [3]              (El-Bekare: 206)

    [4]              Imam Ahmedi, 2135, Tirmidhiu, 1987

  • KUR SHPIRTI ËSHTË I KËNAQUR

    KUR SHPIRTI ËSHTË I KËNAQUR

    Ishte një njeri i varfër, i cili kujdesej për nënën, gruan dhe fëmijët e tij dhe njëkohësisht punonte si shërbëtor te një pasanik. Ishte i sinqertë në punën e tij dhe atë e kryente me përsosmëri. Mirëpo një ditë nga ditët mungoi në punën e tij. Kjo nuk ishte traditë tek ai. Më herët asnjëherë nuk kishte munguar.

    Padroni i tij tha në vete: “Patjetër t’ia jap një dinar më tepër që të mos mungojë më. Me siguri mungon që t’ia shtoj rrogën e tij, ngase ai e di se kam nevojë për të.”

    Me të vërtetë kur erdhi të nesërmen, ia dha rrogën dhe i shtoi në të një dinar.

    Punëtori nuk foli gjë dhe nuk e pyeti padronin e vet për rritjen e rrogës. Pas një periudhe, punëtori sërish mungoi. Padroni u zemërua shumë dhe tha: “Do t’ia pakësoj një dinar nga rroga” dhe me të vërtetë ia pakësoi. Punëtori as që foli gjë dhe as që e pyeti se pse ia zvogëloi rrogën e tij.

    Pasaniku u habit nga fakti se punëtori i tij nuk reagoi fare dhe i tha:

    – Ta rrita rrogën nuk më pyete gjë, ta zvogëlova rrogën dhe nuk fole gjë!

    Punëtori i tha:

    – Herën e parë kur mungova, Allahu më furnizoi me fëmijë. Kur më shpërbleve me një dinar, thashë në vete: “Kjo është risku i fëmijës që erdhi me të!” Kur mungova herën e dytë, më vdiq nëna. Kur më pakësove nga rroga për një dinar, thashë në vete: “Kjo ishte risku i saj dhe shkoi me të.”

    Nuk ka më mirë për një shpirt se sa të jetë i kënaqur me atë që ia dhuroi Allahu dhe të mos varet nga njeriu se a do t’ia shtojë riskun e tij apo jo!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • MILINGONA DHE MJALTI – DYNJAJA DHE NE

    MILINGONA DHE MJALTI – DYNJAJA DHE NE

    Ra mbi tokë një pikë mjaltë dhe erdhi një milingonë e vogël, e cila iu afrua pikës së mjaltit dhe shijoi nga ajo. Më pas tentoi të largohet, mirëpo si duket shija e mjaltit i la mbresa të mëdha, kështu që u kthye dhe përsëri provoi nga mjalti. Vendosi të largohet, mirëpo si duket nuk mundej të ngopet nga ajo që e mori nga mjalti. U nis prapë të merr diçka nga ajo, mirëpo kësaj radhe milingona vendosi të futet brenda pikës së mjaltit, e të kënaqet shumë e më shumë.
    Milingona u fut brenda pikës së mjaltit dhe filloi të kënaqet brenda saj duke e shijuar ëmbëlsinë e mjaltit, mirëpo papritmas kur dëshiroi të largohet nga ajo, nuk mundi të dalë. Mjalti ia kishte pas lidhur duart dhe këmbët e saj dhe iu kishin ngjitur për toke dhe nuk mundej të lëvizë. Mbeti në këtë gjendje derisa ngordhi. Mjalti ishte shkaku i shkatërrimit të saj dhe moskënaqja e saj me atë qe e hëngri dhe dëshira e saj për më tepër ishte arsyeja e përfundimit të saj të dhembshëm.
    Nëse ajo ishte e kënaqur me pak nga mjalti, do të kënaqej dhe do të shpëtonte, mirëpo ajo e refuzoi këtë, ajo donte më tepër dhe më tepër.
    Kështu është dynjaja dhe po ashtu edhe ne. Ne nëse jemi të kënaqur me atë të lejuarën nga dynjaja dhe i shfrytëzojmë begatitë brenda kufijve të cilët i ligjëroi Allahu për ne, pa mos u futur thellë në të dhe pa mos na larguar nga përgatitja për ahiretin, njeriu do t’i fitonte begatitë e dynjasë dhe ahiretit.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • SHTATË MREKULLITË E DYNJASË

    SHTATË MREKULLITË E DYNJASË

    Mësuesja kërkoi nga nxënësit të hulumtojnë për shtatë mrekullitë e dynjasë. Edhe përkundër mospajtimeve mes nxënësve, shumica e tyre ishin të mendimit se këto shtatë mrekulli të dynjasë janë më të dalluarat: piramidat e Egjiptit, kopshtet e varura të Babilonisë në Irak; muri kinez në Kinë, Taxh Mahall në Indi, kulla e Ajfelit në Francë, kulla e lakuar e Pizës në Itali dhe kanali i Panamasë në Panama.

    Mësuesja duke i tubuar votat e nxënësve e vërejti se një nga nxënëset nuk e dorëzoi fletën e saj. E pyeti vajzën se mos ka ndonjë pengesë për t’i shënuar ato shtatë mrekulli të botës? Nxënësja i përgjigjet:

    – Po, gjej pengesë të vogël, sepse unë e shoh se ato shtatë mrekulli janë tjera e jo këto që i numëruat dhe mendoj se ka edhe më shumë mrekulli se sa të përkufizohen në shtatë.

    Mësuesja i tha:

    – Mirë, lexona atë që e shkrove!

    Vajza u mendua pak dhe pastaj lexoi:

    – Unë besoj se mrekullitë e dynjasë janë shtatë dhe ato janë: të shohësh, të dëgjosh, të prekësh, të shijosh, të ecësh, të qeshësh dhe të duash.

    Në klasë u përhap qetësi e plotë.

    Vajza e përfundoi leximin duke thënë se gjërat që i kemi në përditshmërinë tonë, i përdorim në vazhdimësi dhe janë dhuratë nga Allahu për ne, pikërisht ato janë shtatë mrekullitë e dynjasë.

    Shtatë mrekulli, të cilat nuk munden të ndërtohen me dorë apo të blihen me të holla, ato thjesht gjenden brenda zemrave dhe gjymtyrëve tona.

    Mrekullia e tetë është se të mëdhenjtë ende nuk e kuptojnë se të vegjlit gjithmonë japin ide që i tejkalojnë kufijtë e asaj që të tjerët e presim nga ta. Kjo vjen si pasojë e asaj se ne mendojmë në mënyrë standarde, kurse ata mendojnë me liri. Kurse mrekullia e nëntë, dhe kjo është më e çuditshmja, është se ne i shikojmë mrekullitë që i kanë ndërtuar njerëzit në botën e tyre dhe i harrojmë mrekullitë më madhështore të cilat Allahu i krijoi në vet njeriun. E kjo mrekulli është ajo që ndihmoi në ndërtimin e mrekullive tjera.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • I RIU GJERMAN QË E PRANOI ISLAMIN

    I RIU GJERMAN QË E PRANOI ISLAMIN

    Një i ri mysliman vendosi të studiojë jashtë shtetit të tij dhe si vend për studimet e tij të ardhshme e zgjodhi Gjermaninë. Pasi që arrin në Gjermani, vendoset me një banesë ku si fqinj e kishte një të ri gjerman. Lidhja mes tyre ishte vetëm një lidhje fqinjësie, jo më tepër.

    Pas një periudhe, i riu gjerman udhëton papritmas, kurse shpërndarësi i gazetave për çdo ditë ia vendoste gazetën para derës së tij. I riu mysliman, kur e vërejti se gazetat shtohen për çdo ditë para derës së fqinjit të tij, u interesua për të dhe u lajmërua se ai kishte udhëtuar.

    I mori gazetat dhe i palosi në një raft të posaçëm. Për çdo ditë e merrte gazetën dhe e paloste në raft dhe i tubonte në një vend. Kur u kthye fqinji i tij pas dy apo tre muajve, i riu mysliman e përshëndeti dhe e përgëzoi për arritjen e tij me shëndet të mirë dhe ia dorëzoi të gjitha gazetat e tubuara dhe i tha:

    – U frikova se je duke e përcjellë ndonjë artikull apo merr pjesë në ndonjë kuis dhe doja që të mos humbë asgjë nga informatat.

    I riu gjerman filloi ta shikojë habitshëm dhe të çuditet nga përkujdesja e tij dhe i tha:

    – A do të shpërblehesh apo do ndonjë shërbim për këtë vepër që e bëre?

    I riu mysliman iu përgjigj:

    – Jo. Neve feja na urdhëron në mirësi ndaj fqinjit, e ti je fqinji im dhe unë e kam patjetër të të bëj mirë!

    Ky i ri mysliman e vazhdoi bamirësinë e tij ndaj fqinjit të vet edhe më tutje, derisa i riu gjerman e pranoi Islamin dhe u bë mysliman.

    E tha të vërtetën Omer ibën Abdulazizi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, kur tha: “Bëhuni thirrës të fesë së Allahut duke qenë të heshtur!” I thanë: “E si është e mundur kjo?” U përgjigj: “Me moralin dhe sjelljen tuaj.”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • SHPIRTI MË NXITË DREJT GJYNAHEVE, MË KËSHILLO!

    SHPIRTI MË NXITË DREJT GJYNAHEVE, MË KËSHILLO!

    U nis një njeri drejt Ibrahim Ed’hemit, Allahu e mëshiroftë!, dhe i tha:

    – O shejh, shpirti më nxitë kah gjynahet. Më këshillo me ndonjë këshillë!

    Ibrahim Ed’hemi iu përgjigj:

    – Nëse shpirti të thërret t’i bësh gjynah Allahut, bëji gjynah, s’ka gjë, mirëpo nga unë i ke pesë kushte.

    – Po, urdhëro! – i tha njeriu.

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – Nëse dëshiron t’i bësh gjynah Allahut, fshehu në një vend ku nuk të sheh Allahu!

    -SubhanAllah! Si të fshihem nga Ai, kur nga Ai nuk mundet të fshihet asgjë.

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – SubhanAllah! A nuk të vjen turp t’i bësh mëkat Allahut, kur Ai të sheh?!

    Njeriu heshti dhe i tha:

    – Më shto nga këshillat!

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – Nëse do t’i bësh Allahut gjynah, mos i bën mbi Tokë!

    – SubhanAllah! E ku të shkoj, kur çdo gjë në kozmos është e Tij?! – ia ktheu njeriu.

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – SubhanAllah! A nuk të vjen turp t’i bësh mëkat Allahut dhe ti banon mbi Tokë?!

    – Më shto nga këshillat!

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – Nëse do t’i bësh Allahut gjynah, mos ha nga risku i Tij!

    – SubhanAllah! E si të jetoj kur të gjitha begatitë janë nga Ai?!

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – SubhanAllah! A nuk të vjen turp t’i bësh mëkat Allahut, kur Ai të ushqen, të jep të pish e ta ruan fuqinë?!

    – Më shto nga këshillat!

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – Nëse do t’i bësh Allahut gjynah dhe vijnë melekët që të të marrin dhe të të dërgojnë në Xhehenem, mos shko me ta!

    Njeriu i tha:

    – SubhanAllah! E nga të marr unë fuqi t’u kundërvihem atyre?! Ata janë të forta dhe do të më udhëheqin nga të duan.

    Ibrahim Ed’hemi i tha:

    – Nëse i lexon mëkatet e tua në fletushka, mohoi ato se i ke bërë!

    Njeriu i tha:

    – SubhanAllah! E ku janë melekët fisnikë që i shënojnë veprat?! Ku janë melekët që përkujdesen për mua?! Ku janë dëshmitarët që do të flasin për mua?!

    Njeriu filloi të qajë, të ecë dhe t’i përsëritë fjalët: “SubhanAllah! E ku janë melekët fisnikë që i shënojnë veprat?! Ku janë melekët që përkujdesen për mua?! Ku janë dëshmitarët që do të flasin për mua?!”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • KUJDESI PËR MACEN U BË SHKAK SHËRIMI

    KUJDESI PËR MACEN U BË SHKAK SHËRIMI

    Nëna e një djaloshi ishte në gjendje kritike dhe shtrihej në spital. Një ditë nga ditët mjekët e lajmëruan djaloshin se gjendja e nënës së tij është shumë e keqe dhe nuk shpresohet për të shërim dhe në çdo moment mundet të ndërrojë jetë. Djaloshi doli nga dhoma e nënës së tij, ishte i mërzitur për gjendjen e saj dhe u nis drejt shtëpisë. Nuk mundej të rrinte i qetë në shtëpi, larg nënës së tij, kështu prapë vendosi të kthehet. Rrugës ndaloi me një pompë benzine, ku poshtë makinës së tij e pa një karton me një mace në të, e cila sapo kishte pas lindur mace të vogla dhe numri  i tyre ishte i madh. Ato të voglat nuk mundeshin të ecnin dhe tha në vete se kush u sjell atyre ushqim duke qenë ato në këtë gjendje.

    Hyri në shitore dhe u bleu ushqim, ua vendoi përpara tyre dhe u nis për në spital. Hyri në dhomën e nënës së tij, mirëpo mbeti i shtangur dhe i ranë nga dora gjërat që i kishte blerë për nënën. Nëna e tij nuk ishte në dhomë. Mendoi se kishte ndërruar jetë. Shkon dhe e pyet motrën medicinale se ku ishte nëna e tij. Motra i përgjigjet:

    – Gjendja e nënës tënde është përmirësuar për nga e mira dhe e larguam nga dhoma e përkujdesjes së veçantë dhe e kemi vendosur në dhomë tjetër me ata pacientë që gjendja e tyre është më e mirë.

    Djali me shpejtësi shkoi në dhomën tjetër dhe e pa nënën e tij, gjendja iu kishte përmirësuar në të mirë. Ishte zgjuar nga koma dhe pasi që e përshëndeti, e pyeti djali se çka ndodhi me të. Nëna iu përgjigj:

    – Duke qenë në atë gjendje, pa vetëdije, e pashë në ëndërr një mace dhe fëmijët e saj, i kishin pas ngritur duart dhe luteshin për mua.

    I lartësuar është Allahu, i cili i largon fatkeqësitë! Shëroni të sëmurit tuaj me sadaka!

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, na porositi: “Frikojuni nga zjarri, qoftë edhe me një gjysmë hurme.”[1]

    Allahu i Madhëruar thotë: Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata.”[2]

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1]              Buhariu,1417, Muslimi, 1016

    [2]              (El-Isra: 44)