Category: Mirësjellja – Edukata fetare

  • “UNË JAM I MADH SE MUHAMEDI!”

    “UNË JAM I MADH SE MUHAMEDI!”

    Gjenerali tha:

    – Unë jam gjeneral i forcave detare në Gjermani.

    Djaloshi ia kthehu:

    – Na vjen mirë dhe na nderon.

    – Unë jam më i madh se i dërguari juaj, – tha gjenerali.

    – Kush është i dërguari im? A e njeh atë?

    – Po. Ti je mysliman dhe i beson Muhamedit, – u përgjigj gjenerali.

    – Po mirë, unë jam mysliman, mirëpo çfarë të shtyri ty të pretendosh se je më i madh se ai? – e pyeti djaloshi.

    – Unë mund ta rreshtoj një ushtri të plotë të përbërë nga njëzet mijë ushtarë për më pak se dhjetë minuta.

    – Nëse unë ti jap dy milion njerëz sa kohë të duhet t’i rreshtosh në resht? – i tha djaloshi.

    – Nëse janë nën kontrollin tim, ji i bindur se nuk do të zgjasë rreshtimi i tyre më tepër se dy orë, – u përgjigj ai.

    Djaloshi ia kthehu:

    – Edhe nëse nuk e flasin një gjuhë, nuk janë një moshë dhe janë nga gjitha vendet e botës?

    – E pamundur është të rreshtohen kështu, – u përgjigj gjenerali duke u tallur.

    – Shiko kah ekrani im, – i tha djaloshi. – Shiko ka Kibleja ime! Shiko kah shtëpia e Zotit tim! Shiko kah mysafirët e Zotit tim! Ata kanë ardhur nga të gjitha vendet e botës dhe me zërin e imamit kur thotë “rreshtohuni!”, rreshtohen rreth dy milion njerëz nga falësit e namazit, pa gjeneral ushtarak, e pa mbikëqyrës dhe pa ligj. Kjo është feja jonë! Kjo është trashëgimia e Pejgamberit tonë dhe të Dërguarit tonë me të cilin ti tallesh. Ai ka vdekur, mirëpo ligjet e tij ende vazhdojnë deri më sot dhe do të mbeten deri në Ditën e Kiametit. Nuk ka njeri më të madh se ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • ÇDO NJERI E JEP ATË QË E KA NË ZEMËR

    ÇDO NJERI E JEP ATË QË E KA NË ZEMËR

    Një ditë nga ditët një pasanik ia dorëzoi një të varfrit një shportë të mbushur me ushqim të prishur. I varfëri nga ky gjest i pasanikut u buzëqesh dhe u largua nga pallati me shportën në dorë. Pastaj e zbrazi atë nga gjërat që kishte në të dhe filloi ta pastronte.

    Pasi që e pastroi, në të vendosi trëndafila me bukuri të rrallë dhe me erë të mirë, dhe u kthye në pallat dhe ia dorëzoi pasanikut.

    Pasaniku nga ky gjest u habit dhe e pyeti:

    – Pse kur unë ta dorëzova shportën me mall të prishur, ti ma ktheve me trëndafila të bukura?!

    I varfëri iu përgjigj:

    – Çdo njeri e jep atë që e ka në zemër.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • O TI I DHËNË PAS ALKOOLIT, MOS I HUMB SHPRESAT!

    O TI I DHËNË PAS ALKOOLIT, MOS I HUMB SHPRESAT!

    Shejh Muhamed el Gazali, Allahu e mëshiroftë!, thotë:

    I thashë njërit të dhënë pas alkoolit: “A nuk i pendohesh Allahut?”

    Më shikoi i mërzitur, sytë iu mbushën me lot dhe më tha: “Lute Allahun për mua.”

    E meditova gjendjen e këtij njeriu dhe zemra mu zbutë. Të qarit e tij e jep një sinjal se është i vetëdijshëm për gjynahet që ia ka bërë Allahut dhe është i mërzitur sepse ai atë e kundërshton dhe ka dëshirë ta përmirësojë veten. Ai është besimtar me bindje, mirëpo i sprovuar. Ai kërkon shërim dhe kërkon nga unë t’i ndihmoj.

    Në vete thashë: “Gjendja ime mundet të jetë e njëjtë sikurse e tij, madje edhe më e rëndë. E vërtetë është se unë nuk kam shijuar alkool asnjëherë, rrethi ku jetoja nuk e përdornin, mirëpo unë ndoshta e kam shijuar të dehurit e shkujdesjes, e cila më bëri të largohem tepër nga Zoti im dhe t’i harroj të drejtat e Tij. Ai qan për mangësitë e veta, kurse unë dhe ata që janë si unë nuk qajmë për mangësitë e tona dhe ka mundësi që vetja të na mashtrojë.”

    U drejtova kah ai i cili kërkoi nga unë të lutem për të që ta lërë alkoolin dhe i thashë: “Eja së bashku të lutemi për ne:“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.”[1]

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1]              (El-Araf: 23)

  • FJALA E MIRË ËSHTË SADAKA

    FJALA E MIRË ËSHTË SADAKA

    Një i ri kalon përreth një të varfrit lypës dhe ndalet pranë tij t’i jep diçka nga të hollat, mirëpo kur e futi dorën nëpër xhepa, e vërejti se e ka harruar kuletën në shtëpi.

    U turpërua nga kjo situatë dhe i kërkoi falje të varfrit duke i thënë:

    – Kërkoj falje, o prindi im! E harrova kuletën në shtëpi dhe, me lejen e Allahut, kur të kthehem do t’i marr të hollat me vete dhe do të vij te ti.

    Njeriu i varfër ia kthehu:

    – Më fal, o biri im! Ti më dhurove më shumë se të gjithë.

    I riu u habit:

    – Mirëpo, o prindi im, unë nuk të dhashë asgjë!

    – Ti kur më kërkove falje, mu drejtove me fjalën“o prindi im”. Këtë fjalë nuk e kam dëgjuar nga askush. Kjo fjalë për mua është më e larta dhe më e shtrenjta, – ia ktheu i varfri.

    Pra, “Fjala e mirë është sadaka”.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • SA SHOQËRI E BUKUR QË ËSHTË SHOQËRIA E SINQERTË

    SA SHOQËRI E BUKUR QË ËSHTË SHOQËRIA E SINQERTË

    E cek njëri dhe thotë: “Ndërroi jetë shoku im para një periudhe të gjatë dhe deri më tani ende nuk e fshira emrin e tij nga celulari!!

    Madje edhe kur blejë celular tjetër emrin e tij e shënoj dhe e ruaj.”

    I thanë: “E pse vepron ashtu kur e di që ka ndërruar jetë gjatë kohë?”

    U përgjigj: “Nuk e fshij emrin e tij, sepse çdo herë kur e shoh emrin në listën e shokëve në celular, që i bie për çdo ditë, e kujtoj dhe bëj dua për të që Allahu ta mëshirojë, ta falë dhe ta shpërblejë me Xhenet!”

    Sa e bukur që është shoqëria kur themelet i ka të sinqerta!

    Sa shoqëri e bukur që është shoqëria e sinqertë!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • KOPRRACI DHE BIRI I TIJ

    KOPRRACI DHE BIRI I TIJ

    Rrëfehet për njërin se kishte shkuar mysafir te një shok i tij koprrac. Kur mbërriti mysafiri, koprraci e thirri të birin dhe i tha:

    – O biri im, kemi mysafir të ndershëm që e dua shumë. Shko dhe blej për ne gjysmë kilogrami mish ndër më të mirin në treg.

    I biri shkoi dhe pas një kohe u kthye, mirëpo duarthatë. Prindi i thotë:

    – Po ku e ke mishin?

    I biri i përgjigjet:

    – Shkova te kasapi dhe i thashë të ma japë mishin më të mirë që e kishte. Ai ma kthehu: “Do të jap mish ndër më të mirin, si të jetë gjalpë.” Mendova dhe i thashë vetes:“nëse është ashtu, pse nuk shkoj e të blej gjalpë në vend të mishit?!” Dola dhe shkova në shitore dhe shitësit i thashë: “Më jep gjalpin më të mirë që e ke”. Shitësi më tha: “Do ta jap gjalpin më të mirë, si të jetë mjaltë.”Mendova dhe i thashë vetes: “nëse është ashtu, më mirë do të blej mjaltë.”Shkova te shitësi i mjaltit dhe i thashë: “Më jep mjaltin më të mirë që e ke.”Shitësi më tha: “Do ta jap mjaltin më të mirë që e kam, është si uji i çiltër.”Mendova dhe i thashë vetes:“nëse është ashtu, ne kemi ujë të çiltër në shtëpi.” Kështu u ktheva në shtëpi, pa mos blerë asgjë.

    Prindi i tha:

    – O biri im, sa i mençur që je! Mirëpo, të ka ikur një gjë: këpucët e tua duke ecur nga dyqani në dyqan i ke dëmtuar dhe harxhuar rëndë.

    Djali ia kthehu:

    – Jo, o babai im. I kisha të mbathura këpucët e mysafirit.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • FËMIJA QË I FRIKËSOHET ALLAHUT MË SHUMË SE NE

    FËMIJA QË I FRIKËSOHET ALLAHUT MË SHUMË SE NE

    Imam Ebu Hanife, Allahu e mëshiroftë!, me disa shokë të tij ishin drejtuar për ta falur namazin në xhami. Rrugës e takojnë një fëmijë që qante me zë të lartë dhe lotët i rridhnin si lumë nga të qarit e tepërt. Ebu Hanifja e pyeti për shkakun e të qarit, mirëpo fëmija kërkoi nga ai të mos i përzihet në çështjen e tij.

    Ebu Hanifja nga reagimi i fëmijës filloi të buzëqeshë. Fëmija kur e vërejti reagimin e tij, i tha se në Kuran e ka lexuar një ajet që thotë: Atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.”[1]

    Imami iu përgjigj:

    – Kjo padyshim se është e vërtetë, mirëpo biri im, ti je ende i vogël dhe ti nuk bën pjesë në këtë ajet.

    Si iu përgjigj fëmija Ebu Hanifes?

    Ai tha:

    – O imam, a nuk është e vërtetë se ne kur dëshirojmë ta ndezim zjarrin i vendosim drunjtë e vegjël para atyre të mëdhenjve?

    Imamit nuk i mbeti tjetër vetëm se u tha shokëve të tij:

    – Pasha Allahun, ky fëmijë i frikësohet Allahut më tepër se ne!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1]              (El-Bekare: 24)

  • KËSHTU KUPTOHET FEJA

    KËSHTU KUPTOHET FEJA

    Një grua dëgjoi se Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai!, i mallkoi ato gra që e ndryshojnë natyrshmërinë e tyre të krijimit, si shkuljen e vetullave, ndarjen mes dhëmbëve për zbukurim etj.

    Gruaja u nis drejt tij ta pyesë për këtë çështje dhe Ibën Mesudi iu përgjigj:

    – E pse unë të mos i mallkoj ato gra, kur i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, i mallkoi ato dhe po ashtu kjo ndalesë është në Librin e Allahut?

    Gruaja e habitur i tha:

    – Unë e kam lexuar krejt Kuranin, mirëpo nuk kam hasur në ndonjë ajet që aludon në ndalesën e këtyre gjërave.

    Këtu u paraqit urtësia e një dijetari të mençur, i cili e kupton fenë shumë mirë dhe i tha:

    – A nuk e lexove ajetinÇfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.”[1]

    Gruaja iu përgjigj:

    – Po.

    – Atëherë edhe Kurani e ka ndaluar një gjë të tillë, – i tha Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1]              (El-Hashër:7)

  • RRËFIMI PËR PLAKËN QË VDIQ NË SEXHDE

    RRËFIMI PËR PLAKËN QË VDIQ NË SEXHDE

    Ngjarjen në vijim na e rrëfen familja e një plake, e cila në atë kohë i kishte arritur të tetëdhjetat dhe jetonte në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite. Plaka një ditë nga ditët ulet me disa gra, mirëpo e vërejti se ato kohën po e kalojnë në muhabete e thashetheme, në përgojim e bartje të fjalëve, filania e gjatë e tjetra e shkurtër, njëra e bukur e tjera e shëmtuar, njëra e martuar e tjetra e ndarë etj. Plaka e vërejti se aty s’ka fare dobi dhe u largua në shtëpinë e saj për ta përmendur Allahun, ashtu siç edhe vepronte gjithmonë.

    E mori sixhadenë dhe filloi të falë namaz nate, ashtu siç e kishte traditë edhe netëve tjera, mirëpo kjo natë do të dallohet nga ato tjerat me diçka. Duke u falur plaka nxjerrë një zë dhe kjo ia tërhoqi vëmendjen birit të saj, të cilin e kishte të vetëm dhe e respektonte nënën shumë. I biri hyri në dhomë dhe e pa nënën se kishte ra në sexhde dhe kishte mbetur në atë gjendje. Plaka e thirri duke i thënë:

    – O biri im, në këtë moment nuk më lëviz nga trupi asgjë, përveç gjuhës.

    I biri i tha:

    – Nëna ime, do të dërgoj shpejt në spital.

    Plaka ia kthehu:

    – Jo, o biri im, më lër këtu.

    – Jo, pasha Allahun, do të shkojmë në spital, – i tha djali.

    Mjekët mblidhen shpejt të shohin se çfarë të bëjnë, mirëpo e shohin se janë të pafuqishëm për të bërë ndonjë gjë. Plaka i drejtohet të birit dhe i thotë:

    – O biri im, për hir të Allahut, të lutem më dërgo në shtëpi dhe te sixhadeja ime.

    Kthehet plaka në shtëpi, i biri i jep abdes dhe e vendos mbi sixhadenë e saj, dhe në atë gjendje që ishte fillon të falet.

    I biri vazhdon me rrëfimin.

    Pas një kohe të shkurtër, para sabahut, nëna ime më thirri dhe më tha: “O biri im, të lë në mbrojtje të Allahut, i cili i mbron robërit e Tij dhe nuk i humb” dhe tha: “Esh-hedu en la ilahe il-lAllah ue esh-hedu en-ne Muhameden resulullah.” Pastaj i mori frymëmarrjet e fundit dhe ndërroi jetë.

    Nuk i mbeti të birit tjetër, përveç se t’ia lajë xhenazen, ta qefinosin, ta bartin për t’ia falur namazin, e pastaj ta dërgojnë deri te varrezat dhe t’ia zgjerojnë varrin më shumë që ta varrosin duke qenë në atë gjendje – në sexhde.

    Njeriu sikur vdes, ashtu do të ringjallet në Ditën e Kiametit para Allahut, e kjo plakë vdiq në sexhde dhe në sexhde do të ringjallet para Allahut, Ditën e Kiametit, me lejen e Allahut!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • LUTJA QË IA KTHEHU SHIKIMIN IMAM BUHARIUT

    LUTJA QË IA KTHEHU SHIKIMIN IMAM BUHARIUT

    Një vajzë martohet për një djalë të devotshëm që quhej Ismail. Ai njihej si dijetar i madh, kishte marrë mësime nga imam Maliku, Allahu e mëshiroftë!, dhe nga fryti i kësaj martese të bekuar, u lind një djalë të cilin do ta emërtojnë me emrin Muhamed.
    Pas një kohe të shkurtër, Ismaili ndërron jetë dhe gruas dhe fëmijës së tij u lë pasuri të madhe. Atë pasuri gruaja më vonë do ta investojë në edukimin e fëmijës së saj me edukatë të pastër islame. Qëllim i saj ishte që fëmijën ta bëjë dijetar nga dijetarët e mëdhenj mysliman, mirëpo, për fat të keq fëmija i saj u verbua në fëmijëri. Kur njeriu është i verbër, shumë rëndë është të transferohet nga një dijetar te tjetri dhe nga një vend në vend tjetër për të kërkuar dituri.
    Allahu kësaj gruaje ia hapi derën e duasë dhe filloi t’i lutet Allahut me sinqeritet dhe me nijet të pastër. Një natë nga netët, duke fjetur, e pa në ëndërr Ibrahimin, alejhi selam!, i cili i tha: “E lumja ti, Allahu ia kthehu birit tënd pamjen nga lutjet e shumta që i bëre.”Ajo menjëherë u zgjua nga gjumi dhe kur e pa fëmijën e saj, ishte shëruar dhe të parit i ishte kthyer. I lartësuar qoftë Allahu, i cili i përgjigjet nevojtarit kur ai e thërret dhe i cili i largon brengat!
    Pasi që iu kthye shikimi, nëna e drejtoi dhe e udhëzoi të birin në kërkimin e diturisë dhe Allahu ia hapi dyert e diturisë dhe e bekoi në të.
    Ai më vonë u bë autor i një ndër librave më të sakta në dynja, pas librit të Allahut, Kuranit, i cili titullohet dhe njihet si “Sahih el Buhari”.
    Pra, rrëfimi është për Muhamed ibën Ismail el Buhari, apo siç njihet ndryshe si imam Buhari, Allahu e mëshiroftë!, të cilit Allahu ia hapi dyert e diturisë dhe kuptimit të fesë.
    Porosi për secilin nga ju që i trokitni dyert e mjekëve dhe nuk keni gjetur ilaç: trokitni në dyert e qiellit, mos u dëshpëroni nga mëshira e Allahut dhe mos u largoni nga duatë! Mos i ulni duart tuaja nga lutjet, se Allahu nuk lodhet nga lutjet tuaja, derisa ju nuk i lini ato.
    Dr. Aid el Karni

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU