Category: Mirësjellja – Edukata fetare

  • LODHJA E SHPIRTIT

    LODHJA E SHPIRTIT

    Shejh Muhamed Husejn Jakupi, Allahu e ruajttë!, thotë:

    Nga njerëzit ka aso lloji që vjen dhe thotë: “Ndjehem tepër i lodhur!”

    Kur e pyet se ku qëndron problemi, ai të përgjigjet: “Nuk e di, më është ngushtuar shpirti!”

    E pyet se cila është arsyeja, por të përgjigjet: “Nuk e di, prekem shumë shpejt. Shpirti më është ngushtuar dhe më duket se ngulfatem.”

    E pyet: “A ke nevojë për të holla?”

    Ai të përgjigjet: “Jo, pasha Allahun, jo. Nuk e di se për çka bëhet fjalë, nuk janë në pyetje të hollat!”

    E pyet: “Mos ke ndonjë problem me gruan tënde?”

    Përgjigjet: “Jo, përkundrazi, ndjehemi shumë të lumtur mes veti.”

    E pyet: “Mos të janë sprovuar fëmijët me diçka?”

    Përgjigjet: “Jo, pasha Allahun. Ata janë shëndoshë e mirë.”

    E pyet: “Mos ke ndonjë problem në punë?”

    Përgjigjet: “Jo, çdo gjë është në rregull.”

    E pyet: “Mirë, atëherë kjo e tëra nga vjen?”

    Përgjigjet: “Nuk e di! Nuk e di! Nuk e di! Ndjehem i lodhur, shumë i lodhur!”

    Kjo lodhje, është lodhje e shpirtit. Ajo nga e cila ankohet ky njeri, nuk është trupi i tij, por shpirti i tij. Për këtë arsye i gjen pasuesit e epsheve dhe mëkatarët në vuajtje dhe dhembje. Nga gjynahet u shtohen pikat e zeza në zemër, e me atë u shtohet edhe pikëllimi, e nga pikëllimi u shtohet edhe dhembja, e nga dhembja u shtohet edhe shtrëngimi. 

    Shpirti nga brenda i bërtet, është i uritur dhe i etur, mirëpo nuk di se çfarë të bëjë. Për këtë arsye, ai hulumton gjëra materiale, në ushqim dhe në pije, në veshje dhe në qeshje, mirëpo të qeshurit e tij del vetëm nga goja, e jo nga zemra e tij.

    Shpirti ka nevojë për ilaç, i cili buron nga vendi prej nga ka ardhur vet shpirti dhe kjo: “… është çështje që i përket vetëm Zotit tim …”[1]

    Allahu i Madhëruar thotë: “Do të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim.””[2]

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1]              (El-Isra: 85)

    [2]              (Po aty)

  • MOS I MBYLL TË GJITHA DYERT!

    MOS I MBYLL TË GJITHA DYERT!

    Suhejl ibën Amru, Allahu e mëshiroftë!, së bashku me gruan e tij ishin në udhëtim. Gjatë rrugës u ballafaquan me disa plaçkitës, të cilët ua morën të gjitha të hollat dhe ushqimin që e kishin me vete.

    Pas vjedhjes plaçkitësit ulen të hanë nga ushqimi që e vodhën, kurse Suhejlit ia tërhoqi vëmendjen udhëheqësi i plaçkitësve: ai nuk ishte ulur me tjerët të hajë. I habitur i tha:

    – E ti pse nuk ha së bashku me ta?!

    Ia kthehu:

    – Agjëroj.

    Suhejli mbeti i habitur dhe i tha:

    – Vjedh dhe agjëron?!

    Iu përgjigj:

    – Unë e lë një derë mes meje dhe mes Allahut, me shpresë se ndonjë ditë do të hy në të.

    Një apo dy vjet pas ndodhisë, Suhejli po të njëjtin njeri e pa në Haxh, ishte kapur për mbulesën e Qabesë dhe ishte bërë njeri asket dhe adhurues i madh. Ky njeri i penduar, kur e pa Suhejlin e njohu menjëherë dhe i tha:

    – A e mësove se kush e lë një derë mes tij dhe mes Allahut, një ditë nga ditët do të hyjë në të.

    O biri i Ademit, i mjeri ti nëse i mbyllë të gjitha dyert mes teje dhe mes Allahut! Edhe nëse je mëkatar dhe gjynahet të kanë mbuluar, do të vijë dita kur ndoshta një derë do t’i hapë të gjitha dyert e tjera.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • IMAMI I XHAMISË DHE VOZITËSI I AUTOBUSIT

    IMAMI I XHAMISË DHE VOZITËSI I AUTOBUSIT

    Para disa viteve, imami i një nga xhamive të qytetit u transferua në qytetin e Londrës dhe në javët e para të shpërnguljes së tij, udhëtonte me autobus nga shtëpia e vet e deri në qytetin tjetër.

    Një ditë, pasi që hipi në autobus dhe e pagoi çmimin e biletës, u ul dhe e vërejti se vozitësi i autobusit ia kishte kthyer disa të holla më tepër. Mendoi imami dhe tha në vete se duhet patjetër t’ia kthejë këto të holla se nuk ishin të tij. Edhe një herë mendoi në vete dhe vendosi që më mirë ta harrojë këtë çështje dhe të mos ia kthejë të hollat, sepse ato ishin pak dhe askujt nuk do t’i interesojë për to, e sidomos kur dihet se kompanitë e autobusëve marrin shumë të holla nga shitja e biletave. Pra, më mirë t’i mbajë dhe t’i konsiderojë si dhuratë nga ana e Allahut dhe të heshtë.

    Autobusi u ndal te stacioni që e dëshironte imami, mirëpo para se të zbresë, u ndal një çast, e nxori dorën nga xhepi, ia dha shoferit të hollat dhe i tha:

    – Urdhëro, më ktheve më shumë të holla se sa duhej!

    Shoferi i mori të hollat, buzëqeshi dhe e pyeti:

    – A je ti imami i ri në këtë rajon? Unë ka kohë që mendoj të vij te xhamia juaj, që ta njoftoj Islamin dhe të hollat më tepër t’i dhashë me qëllim që ta shoh se si do të sillesh me to.

    Imami kur zbriti nga autobusi ndjeu dobësi në këmbët e tij dhe vetëm se nuk u rrëzua për toke, por fatmirësisht u mbajt për shtyllën më të përafërt që e kishte. Shikoi kah qielli dhe u lut duke qarë: “O Zot, për pak sa nuk e shita Islamin për disa të holla!”

    Të dashur miq, qëllimi i rrëfimit është që të përçojë vetëdijesim deri te ne për veprat tona, sepse asnjëherë nuk i shohim mendimet dhe qëndrimet e të tjerëve për atë që e veprojmë. Kjo është arsyeja që duhet të na stimulojë të jemi të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm dhe të jemi të sinqertë në to, sepse nuk e dimë se kush i përcjellë sjelljet tona, e pastaj mund që njerëzit, e në veçanti jobesimtarët, të gjykojnë mbi ne si mysliman në përgjithësi e jo si individë, apo të gjykojnë mbi Islamin si fe.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • SHQIPTOI SHEHADETIN DUKE QENË E VDEKUR

    SHQIPTOI SHEHADETIN DUKE QENË E VDEKUR

    Doktor Halid el Xhubejri, Allahu e ruajttë!, i cili është një ndër kardiokirurgët më të mirë në Arabinë Saudite dhe njëkohësisht edhe thirrës në fenë e Allahut, na rrëfen dhe thotë:

    Në ora 18.45 më lajmëruan nga emergjenca se e kanë pranuar një grua e cila ishte goditur nga infarkti dhe më thanë se iu duhem urgjentisht.

    Shkova dhe kur arrita te dera e emergjencës, zemra e saj u ndal. Fillova t’ia fërkoj zemrën dhe vetëm pas një apo dy minutave, për çudi, ajo u ngrit dhe e drejtoi shikimin e saj kah qielli sikurse i drejtohet e i flet ndokujt dhe pastaj e ngriti dorën e saj dhe tha: “Esh-hedu en la ilahe il-lallah ue esh-hedu en-ne Muhameden resulullah” (Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç se Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij).

    Unë u ndala dhe ajo u ndal dhe fillova prapë t’ia fërkoj zemrën, edhe atë dy apo tre minuta. Ajo prapë u zgjua, shikoi kah qielli, e ngriti dorën e saj dhe përsëri tha: “Esh-hedu en la ilahe il-lallah ue esh-hedu en-ne Muhameden resulullah” (Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç se Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij).

    Herën e tretë e vërejta një gjë të çuditshme, e pashë fuqinë e Allahut të Madhëruar! Deri sa isha duke ia fërkuar zemrën e saj dhe ajo e shqiptonte shehadetin, me sytë e mi e pashë në aparatin i cili ishte i lidhur me zemrën e saj se zemra e saj nuk kishte qenë në funksion kur gjuha e saj shqiptonte shehadetin. Pasha Allahun, gjuhën e saj e bëri të lëvizë Allahu i Plotfuqishëm, Mëshiruesi, Pendimpranuesi, që të jetë argument për mua dhe për tjetrin. Edhe pse e vdekur ia mundësoi ta shqiptojë shehadetin. Ajo duke qenë gjallë e njihte dhe adhuronte  Zotin e saj, që Ai ta ruajë dhe t’i ndihmojë kur ajo më së shumti ka nevojë.

    Shkova ta takoj burrin e saj dhe ta ngushëlloj për vdekjen e gruas së tij. Pasi që e ngushëllova, ia tregova rastin që e pashë dhe i thashë:

    “Çka ka vepruar gruaja juaj që të jetë përfundimi i saj kështu?”

    Mu përgjigj:

    “Doktor, unë nuk çuditem. Ajo nga dita kur e martova, para 35 vjetëve, asnjë natë nuk e la namazin e natës, përveç se kur kishte ndonjë arsye që e arsyeton feja e Allahut.”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • PLAKU DHE USHTARI

    PLAKU DHE USHTARI

    Një ditë duke ecur rrugës, plaku rrëzohet dhe e humbë vetëdijen. Të pranishmit shumë shpejt e thirrën ndihmën e shpejtë dhe ata e morën dhe e dërguan shpejt në spital. Gjendja e tij nuk ishte aspak e mirë. Ndërkohë disa herë i riktheheshte vetëdija dhe secilën herë e përsëriste emrin e djalit të vet, atë e kërkonte dhe dëshironte ta sheh.

    Personeli i spitalit filloi shpejt të hulumtojë rreth emrit të birit të plakut dhe rreth lokacionit të tij dhe më në fund e gjetën. Punonte në ushtri, mirëpo i stacionuar në një vend të largët dhe s’kishte mundësi të vijë shpejt në spital.

    Ndërkohë në spital hyri një ushtar, në moshë i ri dhe motra medicinale pa mos menduar fare e kapi për krahu dhe e dërgoi në dhomën e plakut. Iu afruan krevatit të plakut dhe motra medicinale tha:

    -O xhaxha, o xhaxha, të erdhi djali.

    Këto fjalë ia përsëriti disa herë, derisa plaku i hapte me shumë mund buzët për të folur, mirëpo nuk kishte fuqi të nxjerrë asnjë fjalë nga goja e tij.

    Plaku ndërkohë e shtriu dorën e tij të dobët e të djersitur dhe ia kapi dorën e madhe dhe të fortë të birit. Djali filloi menjëherë t’i flet dhe t’i përsëritë fjalë të bukura, të lutet për të dhe t’i rrëfejë tregime. Plaku gjatë gjithë kohës e mbante për dore të birin dhe nuk e lëshonte dhe buzëqeshja e kënaqur ia kaploi fytyrën edhe përskaj dhembjeve që ai i ndjente.

    Çdo herë kur motra medicinale kërkonte nga i riu të pushojë pak dhe të kthehet në mëngjes përsëri, ai refuzonte. Mbeti ashtu tërë natën pa gjumë, i lodhur dhe pa ngrënë asgjë. Kur u afrua mëngjesi plaku e dorëzoi amanetin e tij, kurse dora e tij mbeti e kapur për dorën e të birit.

    I riu kur e vërejti se plaku ndërroi jetë, ia kthehu dorën në vendin e vet, e puthi në ballë dhe e luti Allahun që ta mëshirojë dhe pas shumë orëve ulje në një vend, për herë të parë u ngrit dhe shkoi t’ia jep lajmin motrës medicinale. Ajo pasi që u informua filloi t’i kryejë procedurat e duhura siç është traditë në këto raste, kurse i riu për një çast doli deri në tarracë që të thithë ajër të pastër.

    Pas disa minutave u kthye te motra medicinale dhe e pyeti:

    -Kush ishte plaku që ndërroi jetë?

    Motra e habitur iu përgjigj:

    -Ishte prindi yt!

    I riu ia kthehu:

    -Jo, nuk ishte prindi im. Madje unë asnjëherë nuk e kam takuar më parë në jetën time.

    Motra e habitur i thotë:

    – Po ti pse nuk tregove se nuk e njeh kur të dërgova te krevati i tij?!

    – E vërejta se bëtë gabim dhe e  vërejta se plaku e kërkonte djalin, mirëpo sytë e tij nuk shihnin mirë, kështu që nuk mundi të bëjë dallim mes meje dhe djalit të vet. Prandaj vendosa të qëndroj me të dhe vazhdova të kujdesem për të dhe t’i flas deri sa Allahu ia mori shpirtin dhe ai ishte i bindur dhe i kënaqur se të birin e ka afër.

    Pas kësaj ushtari u largua nga spitali dhe u nis për në vendin e vet.

    Bëji mirë nevojtarit, edhe ty do të bëjë ndokush mirë nga nuk e paramendon asnjëherë!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

  • PLAKA DHE LETRA

    PLAKA DHE LETRA

    Një ditë prej ditësh në rrugë varet një letër, në të cilën shkruan: “I kam humbur njëzet dinarë. Ai që i gjen, shpresoj të m’i kthejë në adresën e filanit, banesën numër 76, sepse jetesa ime është e ulët dhe kam nevojë për to, në mënyrë që të blej bukë.”

    Një kalimtarit i erdhi shumë keq, saqë vendosi të shkojë te banesa dhe të pretendojë se i ka gjetur të hollat, në mënyrë që t’i ndihmonte.

    Ai shkoi dhe trokiti në derë, kurse një plakë e hapi derën. Njeriu i nxori njëzet dinarë nga xhepi dhe ia dha. Ndërsa plaka filloi të qajë nga gjesti dhe bamirësia e tij, duke i thënë se ky qe i dymbëdhjeti që vjen dhe pretendon se i ka gjetur të hollat e saj.

    Njeriu buzëqeshi dhe u nis në drejtim të ashensorit, kurse plaka në atë moment i tha:

    – Biri im, nëse ke mundësi largoje njoftimin nga rruga. Unë, në fakt, nuk di shkrim dhe s’e kam shkruar atë letër, – kështu, filloi të qajë dhe të thotë se mirësjellja dhe mëshira e tyre ndaj saj i jep shpresa dhe e bën që të ndjejë mirësinë e dynjasë.

    O ti mysliman, mos e lejo veten të harrosh një nevojtar, ndërkohë që ti je i zhytur në begati! Zgjohu nga gjumi i shkujdesjes, para se të bëhet vonë!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

     

     

  • PILOTI DHE RECEPSIONISTI

    PILOTI DHE RECEPSIONISTI

    Rrëfen një pilot i cili punon në kompaninë e aeroplanëve “Egypt Air” dhe thotë:

    Punoja në linjën e aeroplanit i cili fluturonte në relacionin Kajro-Tokio për tre muaj. Më pas, për dy muaj u largova nga ky relacion dhe fluturoja për në vende tjera. Deshi Allahu që pas një periudhe të kthehem prapë në të njëjtin relacion dhe kompania, si zakonisht, lidhte kontrata me të njëjtat hotele, ku pushonim dhe flinim.

    Zbrita në të njëjtin hotel dhe isha në pritje të shpërndarjes së dhomave. Në atë moment erdhi recepsionisti dhe filloi të thërret: “Zotëri Muhamed Selim! Zotëri Muhamed Selim!”

    Unë u çudita. Unë tash sa mbërrita në hotel, si e di emrin tim ky? thashë me vete. Pastaj, iu përgjigja duke i thënë se unë isha Muhamed Selimi. Kurse ai më dha një zarf, në të cilin kishte treqind dollarë.

    “Ç’është kjo?” i thashë.

    “Kur ishe këtu para tre muajve, e harrove këtë zarf në dhomën tënde. Unë e ruajta atë në recepsion dhe çdo herë kur vinte ndonjë delegacion nga EgyptAir, e hulumtoja emrin tënd. Sot vërejta emrin tënd në mesin e tyre dhe erdha të ta dorëzoj zarfin”, m’u përgjigj ai.

    SubhanAllah! Tre muaj e ka hulumtuar emrin tim në mesin e delegacionit. Unë e hapa zarfin dhe ia dhurova atij 150 dollarë në shenjë respekti për këtë gjest të mirë. Kurse atij iu skuq fytyra dhe i zemëruar më tha:

    “A më jep të holla për kryerjen e detyrës sime?!”

    Unë u skuqa dhe u turpërova nga ai. Desha t’i tregoj se kjo është tradita jonë në tokat arabe, por u turpërova t’i them.

    “A ka mundësi të të ftoj në darkë sonte?” i thashë.

    “Më vjen keq. Nuk mund ta pranoj ftesën tënde, sepse do të ndjehem në vete sikur kjo vepër është shpërblim ndaj asaj që ta ktheva zarfin. Ndoshta herëve tjera kur të kthehesh, do ta pranoj ftesën”, më tha ai.

    Nga dëgjimi i këtyre fjalëve më erdhi të mërzitem për gjendjen e disa njerëzve në tokat tona dhe fillova të turpërohem nga vetvetja. Ky njeri më dha një mësim që nuk do ta harroj dot asnjëherë. Pra, kur të kryhet detyra me të cilën je i obliguar, nuk duhet të presësh shpërblim si shkëmbim i shërbimit të kryer.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • OPERACIONI I NJË HAFËZI TË KURANIT

    OPERACIONI I NJË HAFËZI TË KURANIT

    Një mjek nga Kajro i ishte betuar Dr. Muhamed Hasanit duke i thënë:
    Shejh Muhamed, gjëja më e çuditshme që kam parë në jetën time është rasti i një hafëzit të Kuranit, i cili erdhi në spital për t’u operuar. Ai i kishte tejkaluar të gjashtëdhjetat, mjekra e tij ishte e thinjur, kurse fytyra i ndriçonte dhe i shkëlqente. Kur i veshi rrobat e operimit, filloi të qajë dhe i thashë:
    “Pse po qan? Ti je hafëz i Kuranit, fytyra jote po shkëlqen, ti je imami ynë.”
    “O biri im, pasha Allahun, unë nuk qaj nga frika e vdekjes apo nga frika e operacionit”, më tha ai.
    “SubhanAllah! Po pse po qan?” i thashë unë.
    “U interesova se sa do të zgjasë operimi dhe më thanë se ka mundësi të zgjatë më shumë se katër orë.”
    “Po. Ka mundësi të zgjatë katër, pesë apo gjashtë orë.”
    “Falënderimi i takon Allahut!”, tha plaku.
    “A je i frikësuar?” e pyeta unë, kurse ai e mohoi këtë.
    “Mirë, atëherë përse po qan?”
    “Pasha Allahun, po qaj se sot nuk do të mundem ta lexoj pjesën e Kuranit që e kam të caktuar”, u përgjigj ai.
    “Sa lexon nga Kurani brenda ditës?” i thashë.
    “Allahu është meritor që unë e përfundoj leximin e Kuranit në çdo tre ditë. Pra, unë në ditë lexoj nga dhjetë xhuza. Mirëpo, tash po frikësohem se nuk do të mundem të lexoj aq sa e kam të paraparë për të lexuar.”
    Me të vërtetë u ndjeva i turpëruar dhe i nënçmuar nga kjo ngjarje. Njeriu frikësohet se do t’i ikë leximi i Kuranit edhe duke u operuar. Unë megjithëse jam i shëndoshë, ka mundësi të kalojnë dy javë apo një muaj pa lexuar një ajet nga Libri i Allahut. Ndërkohë, plaku më shikoi dhe më tha:
    “O biri im, dëshiroj t’i falë dy rekatë namaz dhe kur të më vendosni në vendin ku do të më operoni, ju lutem të më lini një orë të plotë që ta lexoj pjesën e caktuar të Kuranit. Pasi të kalojë një orë, le të vijë mjeku dhe le të më japin anestezion. E lus Allahun që të na jep sukses në këtë operacion.”
    Kështu, e vendosëm në sallën e operimit dhe e lamë të rrijë një orë. Pasi lexoi Kuran, mjeku ia dha anestezionin dhe ai e humbi vetëdijen. Mjekët tjerë iu afruan për ta operuar, kurse ai, gjatë tërë kohës që e operonin, lexonte Kuran me zë të lartë. Pasha Allahun, nuk u ndalte së lexuari Librin e Allahut, edhe pse nuk ishte në vetëdije.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • LUTJA NË QABE U BË SHKAK SHËRIMI

    Dr. Muhamed Hasani rrëfen dhe thotë:

    Para se të filloja ligjëratën time në Mekë, m’u afrua një njeri dhe më tha:

                “Shejh Muhamed Hasan, të betohem në Allahun, mos e thuaj asnjë fjalë para se të më dëgjosh!”

                “Urdhëro, o prindi im! Ulu afër meje!”, i thashë.

                Ai u ul pranë meje. Në pamje dukej një njeri i thjeshtë, tregtar. Allahu ia kishte hapur dyert e furnizimit dhe tregtisë, mirëpo ankohej nga një sëmundje e rëndë: ishte paralizuar plotësisht.

    “Kam udhëtuar në Londër për t’u kuruar, mirëpo nuk ishte caktimi i Allahut që të shërohem atje. Po ashtu, kam qenë edhe në Francë dhe në Amerikë, por nuk u shërova dot”, më thoshte ai. “Një ditë prej ditësh, i ulur para televizorit e pashë transmetimin e drejtpërdrejtë të namazit nga Qabeja dhe fillova të qaj. Pastaj, u thashë fëmijëve të mi që dëshiroj të udhëtoj te Sunduesi i shtëpisë së Tij. Ndërsa ato se kishin të qartë se te sunduesi i cilës shtëpi doja të udhëtoja. Unë u thashë që doja të udhëtoj te Mbreti i Sundimtarëve dhe se isha i bindur që Ai nuk do të më kthente të zhgënjyer. U thashë që doja të shkoj në Umre, kurse ato më thanë se nuk mund të lëviz. Prandaj, u thashë që ta marrin me qira një aeroplan privat.” Vazhdon njeriu të rrëfejë. “Kryesorja, ma plotësuan dëshirën dhe erdha në Meke. Kur erdha këtu, u thashë që të ma afrojnë karrigen time afër Qabesë dhe të më lënë të vetëm. Pastaj, fillova ta lus Allahun me disa fjalë, që i përsërita një orë të plotë, pa shtuar diçka tjetër. Gjatë lutjes time thosha: “O Zoti im, unë nuk do të dal nga Shtëpia Jote vetëm se duke ecur apo duke më përcjellë për në varr!” Kështu, bërtita një orë të plotë. Në fund, u lodha dhe më zuri gjumi. Duke fjetur, më erdhi një zë që më thoshte: “Ngrihu dhe ec! Ngrihu dhe ec! Ngrihu dhe ec!” dhe më doli gjumi. Pasi u zgjova, përsëri më erdhi një zë që thoshte të ngrihem. Kështu, unë u ngrita dhe eca. Pasi i bëra disa hapa, m’u kujtua se unë isha i paralizuar dhe, nga gëzimi i madh, bërtita e thashë: “O Zot, o Sundues, pasha Ty, nuk u zhgënjeva nga mbështetja në Ty dhe që çështjen time ta lash të ma zgjidhësh vetëm Ti.””

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • E PRANOI ISLAMIN DUKE KËRKUAR MANGËSI NË KURAN

    E PRANOI ISLAMIN DUKE KËRKUAR MANGËSI NË KURAN

    Orientalisti kanadez, Dr. Gari Miler, është profesor i shkencave të matematikës dhe logjikës në Universitetin e Torontos. Ky njeri e donte shumë matematikën, logjikën dhe gjërat që ndërlidheshin e kuptoheshin me logjikë. Ai ishte thirrës shumë aktiv i fesë krishtere dhe, po ashtu, konsiderohej si njohës i mirë i Biblës.

    Një ditë prej ditësh, mori që ta lexojë Kuranin dhe të zbulojë mangësitë dhe gabimet në të, me qëllim që t’i përdorë ato si mjete gjatë thirrjes në fenë krishtere në mesin e myslimanëve. Ai shpresonte që Kuranin ta gjejë si një libër të vjetër, të shkruar para katërmbëdhjetë shekujsh, i cili flet për shkretëtira dhe gjëra tjera të ngjashme. Mirëpo, iu hutua mendja nga ajo që lexoi, madje zbuloi se ky libër në vete përmban gjëra që nuk gjenden në asnjë libër tjetër në këtë botë.

    Mendoi se në të do të gjejë raste të fanatizmit, të cilat i përjetoi i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!, si vdekja e gruas apo vdekja e djemve dhe vajzave të tij, mirëpo nga kjo nuk gjeti gjë. Kurse ajo që e la gojëhapur ishte kaptina që mban emrin “Merjem”, pra, emrin e nënës së Isait, paqja qoftë mbi të!, gjë nuk ekzistonte në librat e të krishterëve dhe as në ungjijtë e tyre. Dhe, po ashtu, vërejti se Isai është përmendur 25 herë në Kuran, kurse Muhamedi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!, është përmendur vetëm katër herë, dhe kjo me të vërtetë ia hutoi mendjen.

    Sërish e mori Kuranin për të hulumtuar dhe për të gjetur ndonjë mangësi, mirëpo kësaj radhe ia tërhoqi vëmendjen një ajet madhështor. Ky ishte ajeti ku Allahu thotë: “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.”[1]

    Doktor Gari Mileri rreth këtij ajeti tha: “Nga parimet e njohura shkencore në kohën bashkëkohore është parimi i zbulimit të gabimeve dhe ajo që më çudit është fakti se Kurani i thërret myslimanët dhe jomyslimanët në hulumtimin e gabimeve të tyre, gjë që askush nuk ka arritur ta zbulojë. Prandaj, nuk ekziston autor në botë që posedon aftësi të shkruajë një libër për të cilin, pastaj, do të pretendojë se është i pastër nga gabimet dhe mangësitë. Mirëpo, te Kurani është plotësisht e kundërta: të thotë se nuk ka gabime në të, madje edhe të sfidon që të hulumtosh gabimet e tij, kështu, që të bindesh se është i pastër nga të metat.”

    Nga ajetet që Gari Mileri qëndroi një kohë të gjatë duke përsiatur, është ajeti ku Allahu thotë: “A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë? Pastaj Ne e ndamë dhe bëmë nga uji çdo gjë të gjallë! Akoma nuk besojnë?!”[2]

                Ai rreth këtij ajeti tha: “Ky ajet, me saktësi, është tema e studimit shkencor e cila e fitoi çmimin Nobel në vitin 1973, në të cilën flitej rreth teorisë së eksplodimit të madh. Në të citohet se kozmosi që tani ekziston, është rezultat i një eksplodimi të madh, shpërthim nga i cili është formuar çdo gjë që gjendet në qiej.” Kurse për ujin që përmendet në këtë ajet, se është burim jete, doktori tha: “Kjo është për t’u çuditur, për arsye se shkenca bashkëkohore ka zbuluar se qelizat e gjalla përbëhen nga citoplazmat, ku prezenca e tyre në të është 80%, ndërsa citoplazma, në esencë, përbëhet nga uji. Prandaj, si është e mundur që njeriu i cili nuk ka ditur as shkrim e as lexim dhe ka jetuar para katërmbëdhjetë shekujve t’i dijë këto gjëra?! Pa dyshim, e gjithë dituria e tij ka qenë shpallje nga ana e Allahut.”

    Kështu, doktor Gari Mileri e pranoi Islamin dhe filloi të ligjërojë në të gjitha anët e botës. Po ashtu, ka realizuar shumë debate me priftërinj dhe thirrës të fesë krishtere, në mesin e të cilëve ishte vet më herët.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1]              (En-Nisa: 82)

    [2]              (El-Enbija: 30)