Category: Mirësjellja – Edukata fetare

  • PËRSHKRIMI I MUHAMEDIT, ALEJHI SALATU UE SELAM, DHE EMRAT E TIJ

    PËRSHKRIMI I MUHAMEDIT, ALEJHI SALATU UE SELAM, DHE EMRAT E TIJ

    Detyrim i çdo muslimani është që ta njohë të Dërguarin e tij, alejhi salatu ue selam, ta njohë prejardhjen e tij fisnike, vendlindjen e tij fisnike, pamjen e tij të bukur, virtytet e tij bujare, etj., dhe çdo herë që shtohet dija e muslimanit mbi të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, aq më shumë i shtohet dashuria ndaj të Dërguarit të tij, alejhi salatu ue selam, e pason më shumë traditën e tij dhe i nënshtrohet sheriatit të tij. Në këtë na nxiti dhe na këshilloi Allahu i Madhëruar dhe tha: Thuaj (o Muhamed): “Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj gjykoni për shokun tuaj (Muhamedin) që nuk është i çmendur”. (Sebe: 46)

    Allahu i Madhëruar na lajmëroi se jobesimtarët po të kishin gjykuar në sinqeritetin dhe besnikërinë e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe në atë që u dallonte ai nga besnikëria para shpalljes dhe po ta kishin njohur fisnikërinë e prejardhjes dhe vendlindjes së tij, do t’i besonin atij, dhe për këtë arsye Allahu tha: “Apo ata nuk e kanë njohur të Dërguarin e tyre, prandaj e mohojnë atë?”. (El-Mu’minun: 69)

    Mjaftonte që vetëm ta shikosh një herë në fytyrën e tij fisnike dhe të bindesh në sinqeritetin e tij. Kjo edhe ndodhi me Abdullah ibën Selamin kur i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, bëri hixhret për në Medine, e shikoi në fytyrën e tij dhe i tha: “Unë dëshmoj se fytyra jote nuk është fytyrë gënjeshtari”.

    Nëse shenjat e devotshmërisë dhe dritës së besimit paraqiten në fytyrat e njerëzve të mirë dhe të devotshmëve, atëherë si është me më të mirin e të devotshmëve dhe imamin e tyre, Muhamedin, alejhi salatu ue selam. Për këtë arsye muslimani detyrohet ta njeh të Dërguarin e tij, alejhi salatu ue selam, derisa ta njeh vlerën e tij dhe të veprojë me atë që detyrohet ndaj tij, alejhi salatu ue selam.

    Imam Tahaviu, Allahu e mëshiroftë, duke e qartësuar se si duhet të jetë besimi i muslimanit në të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Muslimani duhet të besojë se Muhamedi është robi i Allahut i zgjedhur, Lajmëtari i Tij dhe i Dërguari i Tij i dalluar, vula e pejgamberëve, imam i të devotshmëve, zotëria i të dërguarve, i dashuri i Zotit të botëve, dhe çdo pretendim i pejgamberisë pas tij është e kotë dhe e pabazë dhe ai është i Dërguar i njerëzve dhe xhindeve me të vërtetën dhe udhëzim dhe me dritë dhe me shkëlqim”.

    Çdo gjë në të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, thërret në dashurinë e tij, ai është njeriu me prejardhje më të ndershme dhe po ashtu të Dërguarit, ata janë me prejardhje më të ndershme në mesin e njerëzve. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thoshte: “Allahu dalloi fisin Kinan nga bijtë e Ismailit, dalloi fisin kurejsh nga kinanët, nga kurejshët dalloi lozën e Hashimit, kurse mua më dalloi nga familja Beni Hashim”.

    Ibën Halduni, Allahu e mëshiroftë, e cek në fjalimin e tij rreth shenjave të pejgamberisë se nga shenjat e tyre po ashtu është të jenë me origjinë më fisnike në mesin e popujve të tyre.

    Herakliu kur e pyeti Ebu Sufjanin për origjinën e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe Ebu Sufjani iu përgjigj se ai në mesin tonë është me prejardhje më të ndershme. Atëherë Herakliu i tha se unë të pyeta për origjinën e tij dhe e përmendte se ai është më i miri në mesin e juaj, kështu janë të Dërguarit e Allahut, më të mirët me origjinë në mesin e popujve të tyre.

    Baballarët e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, ose kanë qenë pejgamberë si Ibrahim dhe Ismaili, alejhim selam, ose burra me pozita dhe me nder të lartë në mesin e popujve të tyre.

    Umu Hani, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Allahu i dalloi kurejshët nga të tjerët me shtatë veçori që nuk i janë dhënë askujt para tyre dhe as do t’i jepen dikujt pas tyre: Pejgamberia është tek ata, hilafeti është tek ata, mbulesa e Qabesë është tek ata, dhënia ujë haxhilerëve është tek ata, ngadhënjyen me ndihmën e Allahut ndaj ushtrisë së pronarëve të elefantëve dhe të vetmit ata e adhuruan Zotin për shatë vjet, (në një transmetim tjetër për dhjetë vjet), kur të tjerët nuk e adhuronin (fjala është për të parët në Islam si Ebu Bekri, Aliu, etj.), dhe enkas për ta, pra kurejshët, ka zbritur një kaptinë e posaçme nga Kur’ani, në të cilën nuk përmendet askush tjetër përveç tyre: “(Shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri) për të mbrojtur fisin Kurejsh”. (El-Kurejsh: 1)

    Ai, alejhi salatu ue selam, është Ebu Kasim Muhamed ibën Abdullah ibën Abdul Mutalib ibën Hashim ibën Abdumenaf ibën Kusaj ibën Kilab ibën Mureh ibën Kab ibën Luej ibën Galib ibën Fahër – i quajtur Kurejsh, sipas tij, fisi mori emrin, ibën Malik ibën Nadar ibën Kenaneh ibën Huzejme ibën Mudrikeh ibën Ilijas ibën Mudar ibën Nazar ibën Mead ibën Adnan. Kurse Adnani pa dyshim se është prej bijve të Ismailit birit të Ibrahimit, alejhim selam.

    Vendlindja e tij është Meka, vendi më fisnik në tokë dhe vendi më i dashur tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij, alejhi salatu ue selam, dhe namazi në Harem është i barabartë me njëqind mijë namaze në xhamitë tjera përveç xhamisë së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, në Medine dhe xhamisë së Aksasë.

    Kurse sa i takon emrave të tij, alejhi salatu ue selam, thuhet se i ka nëntëdhjetë e nëntë emra.

    Xhubejr ibën Mutim përcjell nga baba i tij, Allahu qoftë i kënaqur nga ta, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Unë i kam pesë emra. Unë jam Muhamed, Ahmed, El-Mahi- Ai me të cilin Allahu e fshin kufrin, El-Hashir- personi në shenjat e këmbëve të të cilit Allahu do t’i ngjallë njerëzimin, El-Akib-pas të cilit nuk ka profet tjetër”.

    Nga emrat e tij që janë përmendur në Kur’an janë. “I mëshirshëm, pishtar ndriçues, përgëzues, qortues, thirrës kah Allahu, besnik, i mbuluar, i mbështjellë, udhëzues, i sinqertë, i Dërguar i pendimit, i Dërguar i mëshirës, etj.”.

    Nofka e tij ishte Ebu Kasim (Baba i Kasimit) sipas emrit të djalit të tij të madh i cili ishte më i madhi nga fëmijët dhe i cili vdiq para shpalljes dhe kjo nofkë nuk futet në mesin e emrave të tij.

    Përcjell Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ishte në treg dhe një njeri i tha: O Ebu Kasim. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u kthye dhe i tha. “Vini emrin tim, por mos vini nofkën time”.

    Kurse sa i takon grave të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, numri i dakorduar rreth grave të tij është njëmbëdhjete. Dy prej tyre kanë vdekur duke qenë i gjallë Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, dhe emrat e tyre janë: Hatixhe, Seuda, Aishe, Umu Habibe, Umu Seleme, Zejneb bint Xhehsh, Mejmuneh, Xhuvejrijeh, Safijeh, dhe dy ishin robëresha Marija dhe Rejhaneh bint Zejd dhe thuhet bint Shemun, Allahu qoftë i kënaqur nga ato.

    Kurse sa i takon fëmijëve të tij, alejhi salatu ue selam, ai i kishte shtatë fëmijë, tre djem e katër vajza.

    Djemtë ishin: Kasimi i cili ka qenë djali i parë i Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, i cili ka lindur përpara se t’i zbriste shpallja dhe ka vdekur duke qenë fëmijë, ndërsa disa thonë se ka jetuar deri në atë moshë kur ka mundur të kalërojë.

    Abdullahu, ka qenë djali i dytë i Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, i cili ka lindur pas shpalljes së Islamit, dha ka vdekur qysh duke qenë fëmijë.

    Ibrahimi, është djali i tretë i Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, i cili ka lindur në vitin e tetë hixhrij, dhe i cili ka vdekur si foshnje shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë muajsh.

    Vajzat ishin: Zejnebi, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila ka qenë vajza më e madhe e Pejgamberit, alejhi salatu ue selem. Ka lindur pesë vite pas martesës së tij, ndërsa ka vdekur në fillim të vitit të tetë të hixhrij. Dhe e martoi Ebu As ibën Rebia, Allahu qoftë i kënaqur me të.

    Rukija, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila ka lindur tre vite pas Zejnebit, Allahu qoftë i kënaqur me të, ndërsa ka vdekur në kohën e Betejës së Bedrit dhe ishte gruaja e Othman ibën Afanit, Allahu qoftë i kënaqur me të.

    Umu Kulthumi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka lindur pas Rukijes dhe ka vdekur në vitin e nëntë hixhrij dhe po ashtu ka qenë gruaja e Othman ibën Afanit, Allahu qoftë i kënaqur me të.

    Fatimja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka lindur pesë vite para shpalljes së Islamit, ndërsa ka vdekur gjashtë muaj pas vdekjes së Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, dhe është martuar me Aliun, Allahu qoftë i kënaqur me të.

    Kurse sa i takon pamjes së tij të bukur dhe cilësive të tij larta:

    Ai, alejhi salatu ue selam, ishte i bukur dhe tërheqës. Me sy të zi, me shikim të thellë të rrethuar me qepalla të dendura dhe të gjata. Në zërin e tij ndihej ngjirje. Me qafë të gjatë. Symadh. Sysurmë. Me vetulla të gjata e të bukura, as të holla e as të trasha. Me flokë shumë të zeza. Kur heshte, u shquante qëndrimi i tij dinjitoz dhe maturia, e kur fliste, e frymëzonte shkëlqimi dhe eleganca. Njeriu më i bukur dhe më elegant prej së largu, e edhe më i bukur dhe më tërheqës prej së afërmi. Ka pasur gojë të bukur dhe sy të mëdhenj. Nuk ka qenë i trashë. Ka qenë shtat mesatar, shpatullgjerë. Flokët i kishte të gjata gjer te pulpat e veshëve. I kishte flokët gjysmë kaçurrela të zeza, si dhe mjekrën e dendur dhe të zezë. Më parë flokët i mbante të lëshuar, nga dëshira që t’i imitonte pejgamberët e mëhershëm, e pastaj i mblidhte në kokë. Kur gëzohej, fytyra i shndriste sikur të ishte një copë hëne.

    Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “As ambrit as miskut nuk i vinte erë më e këndshme se e lëkurës së Muhamedit, alejhi salatu ue selam”.

    Allahu i Madhëruar e ruajti dhe e mbrojti të Dërguarin e Tij, Muhamedin, alejhi salatu ue selam, para shpalljes në fëmijërinë e tij nga fëlliqësirat e injorancës. U kujdes për të, e zgjodhi në mesin e njerëzve, ia ngriti vlerën dhe emrin dhe nga ajo mbrojtje ishte mbrojtja e tij nga idhujtaria dhe ai nuk e adhuroi askënd tjetër përveç Allahut. Përcillet se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i kishte pas thënë Hatixhes: “Oj Hatixhe, pasha Allahun nuk e adhuroj Latin dhe Uzën (dy idhuj që adhuroheshin nga kurejshët)”. 

    Po ashtu ai, alejhi salatu ue selam, nuk i hante kafshët të cilat thershin për idhujt e jo për Allahun.

    Po ashtu ai, alejhi salatu ue selam, para shpalljes qëndronte ditën e Arafatit në Arafat në kundërshtim me atë që e shpikën populli i tij nga mosqëndrimi i tyre në Arafat dhe më vonë edhe sheriati i Muhamedit, alejhi salatu ue selam, erdhi me ligjin e qëndrimit në Arafat ditën e Arafatit ashtu siç tha edhe Allahu i Madhëruar: “Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët”. (El-Bekare: 199)

    Xhubejr ibën Mutim, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Ditën e Arafatit më humbi deveja dhe dola për ta kërkuar, kur pashë Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, duke qëndruar në Arafat. Thashë me vete: “Për Allah! Ai është nga Hums. Ç’do ai këtu? Ç’e ka sjellë atë këtu?”.

    Po ashtu Allahu e mbrojti nga shpalosja e pjesëve të turpshme apo të paraqitet lakuriq.

    Xhabir ibën Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell dhe thotë: “Kur është rindërtuar Qabja, ka shkuar Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, dhe Abbasi të bartin gurë, dhe Abasi i ka thënë Pejgamberit, alejhi salatu ue selam: “Vëre një teshë në qafë”. Ai pastaj është rrëzuar për tokë i trullosur, me sy të drejtuar kah qielli dhe ka thënë: “Më jep pjesën e poshtme të teshave të mia. Më jep pjesën e poshtme të teshave të mia”. Pastaj e shtrëngoi rreth vetes”.

    Kurse sa i takon lindjes së tij, alejhi salatu ue selam: u lind në familjen Beni Hashim në Mekë, në mëngjesin e ditës së hënë, më nëntë Rebiul Evel, thuhet po ashtu tetë, dhjetë, dymbëdhjetë, dhe në këtë të fundit anojnë shumica e dijetarëve, në vitin e parë të ngjarjes me “elefantin”, ose dyzet vjet pas sundimit të mbretit persian Kisras.

    Gruaja që ndihmoi në lindjen e tij ishte Umu Ejmen kurse gruaja e parë që i ka dhënë gji, pas nënës së vet, ka qenë Thuvejbia, e mbrojtura e Ebu Lehebit.

    I është thënë të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, se si është fillimi i çështjes tënde?

    Është përgjigjur, alejhi salatu ue selam: “Unë jam lutja e Ibrahimit, përgëzimi i Isait, dhe nëna ime ka parë se nga ajo ka dalë një dritë e madhe, nga e cila kanë shkëlqyer pallatet e Shamit”.

    Thënia e tij lutja e Ibrahimit, alejhi selam, është thënia e Allahut: “O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!”. (El-Bekare: 129)

    Përgëzimi i Isait, alejhi selam, është ai që na e tregoi Allahu në Kur’an: “Dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed, që do të vijë pas mej”. (Es-Saf: 6)

    Kurse për thënien e tij “nëna ime ka parë se nga ajo ka dalë një dritë e madhe, nga e cila kanë shkëlqyer pallatet e Shamit”, ibën Rexheb el Hanbeli thotë: “Dalja e kësaj drite në momentin e lindjes është argument i ardhjes së tij me dritë që do të udhëzohen banorët e tokës dhe do të largohet nga ajo errësira e shirkut ashtu siç thotë Allahu në Kur’an: “O ithtarët e Librit! Juve ju erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej Librave (Teuratit dhe Ungjillit) dhe ju fal shumë. Juve ju erdhi prej Allahut dritë (I Dërguari) dhe Libër i qartë (Kur’ani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë”. (El-Maide: 15-16)

    Dhe po ashtu tha: “Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit”. (El-A’raf: 157)

    Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Veçimi i Shamit në hadith se do të paraqitet drita atje aludon në përqendrimin e fesë së tij dhe profecisë së tij në shtetet e Shamit dhe për këtë arsye Shami para Kiametit do të jetë fortesë e Islamit dhe muslimanëve dhe në të do të zbrit Isa, alejhi selam, në lindje të Damaskut tek minarja e bardhë, dhe për këtë në një hadith ka ardhur se: “Do vazhdojë të jetë një grup nga Umeti im të patundur nën urdhrin e Allahut, ata nuk do të dëmtohen nga kushdo që i kundërshton”.

    Në një transmetim që e shënon imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë: “Ata do të jenë në Sham”.

    Dr. Ahmed Ferid           

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU   

  • TË KAPURIT PËR KURAN DHE SUNET

    TË KAPURIT PËR KURAN DHE SUNET

    Falënderimi i takon vetëm se Allahut që na bëri muslimanë dhe na dalloi nga jobesimtarët. Falënderimi i takon vetëm se Allahut, i Cili na dhuroi mendjen dhe na dalloi nga kafshët. Lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi Muhamedin, i biri i Abdullahut dhe rob i Allahut.

    O muslimanë, jemi dëshmitarë okularë se në mesin e muslimanëve sprovat dhe belatë janë shtuar, në mendime nuk janë të pajtuar dhe gjaku derdhet në mesin e tyre! Të gjithë pyesin, se ku është rrugëdalja? Cila është rruga e fikjes së zjarrit të sprovave dhe grindjeve mes vete dhe si të ec umeti drejt sigurisë dhe paqes?

    Allahu i Madhëruar thotë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kur’anin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë”. (Ali Imran: 103)

    Të kapurit për Kur’an dhe Sunet është detyrimi më madhështor në Islam dhe shtylla më e vlefshme. Nëpërmjet tyre realizohet mbrojtja dhe shpëtimi për umetin, ashtu si kapet për litarin kur e gjen ai që është duke u fundosur në det.

    Islami është i vetmi i cili i bashkon zemrat e ndara, dhe e fikën të keqen e zjarrtë dhe e largon urrejtjen e shpirtrave. Allahu i Madhëruar thotë: “duke i bashkuar zemrat e tyre (si një zemër e vetme). Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Urtë”. (El-Enfal: 63)

    Të kapurit për litarin e Allahut është mbrojtje nga devijimi dhe lajthitja. Bashkon Umetin nën flamurin “la ilahe il-lallah Muhamedun resulullah”, dhe e forcon lidhjen mes tyre dhe i largon qëllimet personale dhe i ul poshtë flamujt e rrejshëm dhe nëpërmjet saj ballafaqohet mashtrimi dhe trillimet e armikut.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell nga i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Allahu te ju i do tri gjëra dhe tri të tjera i urren. Ai do që ju ta adhuroni Atë dhe mos t’i përshkruani ortak në asgjë, të kapeni për litarin e Allahut të gjithë dhe mos të përçaheni dhe ta këshilloni atë që Allahu e bëri prijës tuajin. Allahu te ju urren bisedat e pavlera e që sjellin gjynahe, pyetjet e shumta (të pavlera dhe me qëllim kundërshtimi) dhe shpërdorimin e pasurisë”.

    Allahu i Madhëruar thotë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kur’anin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja”. (Ali Imran: 103)

    Lufta mes dy fiseve Eusit dhe Hazrexhit vazhdoi një qind e njëzet vite, kurse baza e prejardhjes së dy fiseve ishte e njëjta. Me ardhjen e Islamit u fik urrejtja në shpirtrat e tyre dhe i largoi ideologjitë e injorancës i bashkoi zemrat e tyre dhe i bëri vëllezër.

    Kur i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u ligjëroi ensarëve në çështjen e plaçkave të luftës së Hunejnit, ndër tjerash u tha: “O ju ensarë, a nuk ju gjeta të devijuar dhe Allahu ju udhëzoi nëpërmjet mua?! A nuk ju gjeta të varfër dhe Allahu ju pasuroi me mua?! Dhe çdo herë që thoshte diçka, ata pohonin: Allahu dhe i Dërguari i Tij na dhuroi! Për këtë arsye Allahu tha: “nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato”. (El-Enfal: 63)

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Farefisi mundet të shkëputet dhe begatitë të mohohen, por kur Allahu i ofron zemrat, nuk mundet ti lëkund askush, asnjëherë”, dhe pastaj e lexoi ajetin: “Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato”. (El-Enfal: 63)

    Një njeri i tha Ibën Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur me të: Si u gdhitë?! Iu përgjigj: U gdhimë me begatinë e Allahut, vëllezër!

    Pse mos të jenë vëllezër, kur Zoti i tyre është një, i Dërguari i tyre është një dhe Kibla e tyre është një?!

    Për ta vërtetuar këtë rregull madhështore, sheriati përgatiti sebepe që e forcojnë këtë lidhje dhe bashkim. Namazi me xhemat është sebep i bashkimi të muslimanëve pesë herë brenda dite, pastaj namazi i xhumasë një herë në javë, pastaj bashkimi vjetor gjatë namazit të Bajramit. Zeqati paraqet solidaritet shoqëror dhe mëshirë dhe mirësjellje. Agjërimi i Ramazanit e bashkon Umetin me veprat e tij gjatë ditës dhe natës. Gjatë Haxhit takohen muslimanët nga të gjithë vendet e botës, me raca të ndryshme, gjuhë të ndryshme dhe nacionalitete të ndryshme. E përshëndetin njëri-tjetrin me selam dhe jetojnë disa ditë së bashku të vëllazëruar.

    Por ajo që e bën zemrën me dhembje dhe ia shton brengat, është ajo që e shohim nga ndarjet e dhembshme dhe mospajtimet e rënda në trupin e Umetit.

    Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shejtani ka humbur shpresat se do të adhurohet në Siujdhesën Arabike, mirëpo ai shpreson në nxitjen e mosmarrëveshjeve mes jush”.

    Përçarjet dhe mospajtimet dhe divergjencat e urryera, të cilat vijnë nga pasimi i epshit dhe qëllimeve personale, injorancës dhe padrejtësisë, e pengojnë ecjen e Umetit, e paralizojnë përparimin e saj, e dobësojnë fuqinë e saj, e largojnë nga realizimi i shpresave dhe arritjes së qëllimeve të saj.

    Kur’ani i paralajmëroi muslimanët nga përçarje e tillë, e cila i përçan edhe rreshtat dhe bënë që umetet të dobësohen dhe përçahen. Allahu thotë: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia”. (El-Enfal: 46)

    Përcjell Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe thotë se e dëgjova një njeri i cili lexoi një ajet dhe e dëgjova të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se e lexoi të kundërtën e asaj që lexoi njeriu dhe shkova deri tek ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe e lajmërova. Në fytyrën e tij pash urrejtjen dhe më tha: “Të dytë e keni mirë, mos u përçani. Ata që ishin para jush kishin mospajtime dhe u shkatërruan”.

    Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, ti s’ke të bësh fare me ata që e përçajnë fenë e tyre dhe shndërrohen në sekte. Te Allahu është puna e tyre e pastaj Ai do t’u tregojë çfarë patën punuar”. (El-En’am: 159)

    Shkaku i përçarjeve dhe mospajtimeve u vodhën pasuritë e muslimanëve, u morën tokat e tyre, muslimanët ia kthyen shpinën njëri-tjetrit, e dashuruan dhe e urryen njëri-tjetrin jo për hir të Allahut, madje arriti çështja derisa edhe ngrenë dorë njëri ndaj tjetrit dhe arriti deri te vrasja, duke menduar secili se është në të drejtë e tjetri në të kotë.

    Islami për këtë arsye ndaloi vrasjen mes vëllezërve në fe dhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Vërtet gjaku juaj, nderi juaj dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin e juaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend”.

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: Pashë Atë që në Dorën e Tij është shpirti im, ajo është porosi për umetin e tij: “Mos u ktheni pas meje në femohues, e t’ia preni qafën njëri-tjetrit”.

    Gjaku e ka vlerën e lartë, madje një pikë gjaku është shumë i shtrenjtë. Allahu thotë: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh”. (En-Nisa: 93)

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Vazhdon të jetë njeriu në gjerësinë e fesë përderisa nuk prek në gjak të ndaluar”.

    Me këtë na qartësohet se kapja për litarin e fortë të Allahut është mburoja e fortë për ta bashkuar fjalën e muslimanëve, fuqinë e tyre dhe rreshtat e tyre.

    Allahu i Madhëruar thotë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!”. (Esh-Shura: 13)

    Shejh Abdulbarij eth Thubejti

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • VLERA E MEXHLISEVE KU PËRMENDET ALLAHU

    VLERA E MEXHLISEVE KU PËRMENDET ALLAHU

    Mexhliset ku përmendet Allahu, azze ue xhel, janë mexhliset më të pastra, më me vlerë, më të dobishmet, më madhështore dhe më të respektuara te Allahu.
    Përcillen shume citate rreth vlerës së këtyre mexhliseve, se ato janë jetë për zemrat, rritje për besimin, përmirësues dhe pastrim për njeriun, në krahasim me mexhliset e neglizhencës ku nuk përmendet Allahu. Nuk ngrihet njeriu prej atyre mexhliseve vetëm se me besim më të mangët, me zemër më të dobët, ku për të do të bëhet pikëllim, brenga dhe pendim.

    Të parët tanë këtyre mexhliseve i kushtonin rëndësi të veçantë dhe i respektonin shumë.
    Abdullah ibën Revaha, radijallahu anhu, i kapte për dore disa prej shokëve të tij dhe u thoshte: “Ejani të besojmë disa çaste, ejani ta përmendim Allahun, ta rrisim besimin duke iu nënshtruar, e ndoshta Ai na përmend me falje.”

    Umejr el Hatamij, radijallahu anhu, thoshte: “Besimi rritet dhe pakësohet.” – U pyet se çka e rrit dhe pakëson? – Tha: “Kur e përmendim Allahun, azze ue xhel, dhe e falënderojmë dhe e lartësojmë, kjo e rrit besimin. Kur e neglizhojmë, e humbim dhe e harrojmë, kjo e pakëson besimin.”

    Mexhliset ku përmendet Allahu janë kopshtet e Xhenetit në tokë. Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu transmetojnë prej Enes ibën Malikut, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur të kaloni nëpër kopshtet e Xhenetit, qëndroni në to.” I thanë: “Cilat janë kopshtet e Xhenetit?” U përgjigj: “Ato janë mexhliset ku përmendet Allahu.”

    Ibni Ebi Dunja dhe Hakimi na përcjellin prej Xhabir ibën Abdullahut, radijallahu anhu, i cili thotë: Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, një ditë doli dhe na tha: “O ju njerëz, qëndroni në kopshtet e Xhenetit.” – O i Dërguar i Allahut, cilat janë kopshtet e Xhenetit? – U përgjigj: “Ato janë mexhliset ku përmendet Allahu.” – Pastaj tha: “Ngrihuni, shkoni dhe përmendeni Allahun. Ai i cili dëshiron ta dijë pozitën e tij te Allahu, le ta shikojë pozitën e Allahut në veten e vet, se Allahu ia zbrit pozitën robit të Tij aq sa e zbret robi pozitën e Allahut në vete.”

    Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush dëshiron të jeton në kopshtet e Xhenetit të dynjasë, le të bëhet banor i mexhliseve ku përmendet Allahu, se ato janë kopshtet e Xhenetit.”

    Mexhliset ku përmendet Allahu janë mexhlise të melekëve. Ato nuk kanë mexhlise tjera në dynja, përveç se mexhliseve ku përmendet Allahu.

    Ebu Hurejra, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu ka caktuar melaqe që shëtisin nëpër rrugë duke kërkuar ata që përmendin Allahun. Dhe nëse gjejnë ndonjë grup që përmendin Allahun, i thonë: Na i tregoni nevojat tuaja dhe i rrethojnë me krahët e tyre deri në qiellin e dynjasë. Allahu i pyet melekët, ndërkohë që Ai e di më mirë: “Çfarë po thonë robërit e Mi?” Melekët i përgjigjen: “Ty të lavdërojnë, o Allah, Ty të falënderojnë, Ty të madhërojnë dhe Ty të lartësojnë.” Allahu iu thotë: “Vallë, a më kanë parë Mua?” I thonë: “Jo, për Ty (betohen), nuk të kanë parë.” Allahu iu thotë: “Po sikur të më kishin parë Mua?” Melekët përgjigjen: “Sikur të kishin parë Ty, ata do të lavdëronin edhe më shumë, do të falënderonin edhe më shumë.” Allahu i pyet: “Çfarë kërkojnë prej meje?” I përgjigjen: “Xhenetin.” Allahu iu thotë: “Vallë a e kanë parë Xhenetin?” I përgjigjen: “Jo, për Ty, nuk e kanë parë.” Allahu iu thotë: “Po sikur ta kishin parë?” I përgjigjen: “Do ta kërkonin pa pushim, dhe do të përpiqeshin me çdo kusht ta fitonin.” Allahu iu thotë: “Nga se kërkojnë mbrojtje prej Meje?” I përgjigjen: “Nga zjarri i Xhehenemit.” Allahu i pyet: “A e kanë parë atë?” I përgjigjen: “Jo, pasha Ty, nuk e kanë parë.” Allahu iu thotë: “Po sikur ta kishin parë?” I përgjigjen: “Nëse do ta kishin parë atë, do t’i largoheshin e frikësoheshin akoma më shumë.” Allahu thotë: “O melaqet e Mia, Unë ju bëj dëshmitarë juve se Unë i kam falur ata.” Një prej melekëve thotë: “O Allah, aty ndodhet një person i cili nuk është aty për tjetër pos për nevojat e veta.” Allahu thotë: “Tek ai mexhlis edhe ai që është rastësisht nuk do të dalë i humbur.”

    Pra, mexhliset ku përmendet Allahu janë mexhlise të melekëve, ndërsa mexhliset e dëfrimit dhe neglizhencës janë mexhlise të shejtanëve. Çdo njëri shkon te ajo çka i përshtatet dhe i takon. Pra, le ta zgjedh njeriu më të mirën dhe atë që më së shumti e mahnit. Ai që rri me atë që e përmend Allahun është i lumtur, në krahasim me atë që është neglizhent dhe dëfryes. Ai e dëmton shokun dhe e bën të palumtur.

    Mexhliset ku përmendet Allahu e mbrojnë njeriun prej pikëllimit dhe pendimit në Ditën e Kiametit, kurse mexhliset e dëfrimit do të jenë pikëllim dhe pendim në Ditën e Kiametit. Ebu Hurejra, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush ulet në një vend dhe nuk përmend Allahun, ajo tek Allahu është humbje kohe dhe do të pendohet, dhe kush shtrihet në një shtrat dhe nuk e përmend Allahun, tek Allahu është humbje e kotë dhe do të pendohet.”

    Prej nderit të mexhliseve ku përmendet Allahu, është pozita e lartë e këtij mexhlisi te Allahu dhe se Allahu krenohet para melekëve me ata të cilët e përmendin Atë. Një ditë doli Muaviu, radijallahu anhu, dhe e gjeti një grup njerëzish në xhami, e i pyeti: “Pse jeni tubuar në këtë vend? Thanë: Jemi tubuar ta përmendim Allahun. U tha: Pasha Allahun, vetëm për këtë qëllim jeni tubuar? Thanë: Pasha Allahun, vetëm për këtë qëllim jemi tubuar. U tha: Unë nuk kërkova betimin prej jush nga shkaku se nuk ju besova, mirëpo askush s’ka qenë i afërt me të Dërguarin, salallahu alejhi ue selem, sa kam qenë unë me të, e që ka transmetuar hadithe më shumë se unë. I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, doli një ditë dhe gjeti një grup të shokëve të vet dhe i pyeti: “Pse jeni tubuar?” I thanë: Jemi tubuar ta përmendim Allahun dhe ta falënderojmë që na ka udhëzuar në Islam e na ka dhënë këtë dhuratë. U tha: “Pasha Allahun, vetëm për këtë shkak jeni tubuar?” Thanë: Po, vetëm për këtë qëllim jemi tubuar. U tha: “Unë nuk kërkova prej jush betimin pse nuk ju besova, mirëpo më erdhi Xhibrili, alejhi selam, dhe më lajmëroi se Allahu me ju krenohet para melekëve”.

    Mexhliset ku përmendet Allahu janë shkak për zbritjen e qetësisë shpirtërore, kaplimin e mëshirës dhe rrethimin e melekëve. Muslimi transmeton prej Ebi Muslim el Egër, radijallahu anhu, i cili thotë: Dëshmoj për Ebu Hurejren dhe Ebi Seidin se ata kanë dëshmuar për Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, se ai ka thënë: “Nuk ulet një popull në një mexhlis ku përmendet Allahu, përveç se i mbulon mëshira e Allahut, i rrethojnë melekët dhe Allahu i përmend në mesin e atyre që janë tek Ai.”

    Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Mexhliset ku përmendet Allahu janë shkak i madh për mbrojtjen e gjuhës dhe mbrojtjen e saj prej fyerjeve dhe bartjes së fjalëve, prej sjelljeve të pamoralshme dhe prej së kotës. Njeriu patjetër detyrohet që të flas. Në rast se nuk flet duke e përmendur Allahun dhe urdhëresat e Tij dhe nuk flet diçka të mirë dhe të dobishme, atëherë ai patjetër do t’i bëj këto mëkate. Kush e ushtron gjuhën e tij në përmendjen e Allahut e mbron gjuhën e tij prej të kotës dhe dërdëllitjeve. Ndërsa kujt i thahet gjuha prej përmendjes së Allahut, do të flas çdo të kotë, çdo të gjepur dhe çdo gjë të pamoralshme.”

    E lus Allahun, azze ue xhel, që ta plotësojë kohën tonë me adhurim dhe mexhliset e tona t’i bëj mexhlise ku përmendet, falënderohet dhe madhërohet emri i Tij, dhe të na mbrojë prej mexhliseve të dëfrimit dhe të kotës, se vetëm prej Tij kërkohet ndihmë dhe se vetëm Ai është që mundet t’i plotëson dëshirat e robërve të Tij.

    Dr. Abdurrezak ibën Abdulmuhsin el Bedr

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • SHKAQET E MOSPAJTIMIT MIDIS NJERËZVE

    SHKAQET E MOSPAJTIMIT MIDIS NJERËZVE

    Allahu, azze ue xhel, i bëri njerëzit që të dallohen prej njëri-tjetrit në natyrë, mendime, synime, ideologji, karakter, dëshira, e kështu me radhë, dhe pa dyshim se kur dallohet prej njëri-tjetrit atëherë vjen deri në mospajtim mes tyre. Ky mospajtim mund të themi se është në kornizën e të pranuarës deri atëherë kur nuk bie në kundërshtim me ligjin e Allahut, azze ue xhel. Çdo mospajtim që bie në kundërshtim me Kur’anin dhe Sunetin është i urryer dhe i ndaluar.

    Duke e marrë parasysh se ky lloj i problematikës është mjaft i gjallë, manifestim i realitetit të jetesës sonë të përditshme, është e nevojshme që t’i njohim shkaqet e këtyre mospajtimeve dhe konflikteve që t’u ruhemi paraprakisht dhe të pastrojmë dhe korrigjojmë veten nëse jemi zhytur në ndonjërën prej tyre, në mënyrë që të kontribuojmë sadopak sinqerisht për shuarjen e konflikteve.

    Prej shkaqeve të cilat çojnë deri në mospajtim mes njerëzve mund t’i numërojmë siç vijon:

    – Mosdija

    Mosdija e natyrës së tjetrit dhe synimeve të tij është një prej shkaqeve kryesore të cilat çojnë deri në mospajtim. Njeriu i paditur është armik i vetes dhe i të tjerëve dhe dëmi i tij në shoqëri është shumë i madh. Prandaj, Allahu, azze ue xhel, dhe i Dërguari i Tij, salallahu alejhi ue selem, i nxisin muslimanët që të pajisen me dituri dhe ta largojnë injorancën prej vetes së tyre. Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, thoshte se të gjithë bashkëbiseduesit e tij dijetarë i ka bindur me qëndrimet e tij, kurse në kontakt me të paditurit gjithmonë ka hasur në shumë vështirësi.

    – Pasimi i epshit

    Pasimi i epshit mund të jetë shkak që njeriu mos ta pranojë realitetin apo t’i mbrojë mendimet që i pëlqen vetëm se epshi i tij, qofshin ato të sakta apo jo, edhe atë duke mos i interesuar fare se a do të bie në mospajtim apo jo.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “O Davud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave, se ato të largojnë nga rruga e Allahut.” (Sad: 26); “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin”. (En-Naziat: 40-41); “A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?” (El-Furkan: 43)

    – Mospajtimi në natyrë, karakter, synime, dëshira!

    Të mirët anojnë nga e mira dhe në këtë janë unikë, derisa të këqijtë anojnë nga e keqja dhe në këtë janë unikë. Këto janë kundërshti që nuk mund të pajtohen. Njeriu i mirë kurrë nuk mund të pajtohet me dhunën, as që do ta durojë, as që mund ta tolerojë te tjetri dhe ka për obligim ta pamundësojë tiranin që të veprojë.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: Shpirtrat e afërm janë unikë. Ata që njihen bashkohen, kurse ata që kundërshtohen, shpërndahen.”

    – Polemikat dhe debatet

    Polemikat dhe debatet e ndaluara janë ato të cilat synojnë mbrojtjen e interesave apo mendimeve personale dhe të xhematit me çdo kusht duke e mposhtur tjetrin me metoda të ndryshme qofshin ato edhe djallëzore.

    Imam Maliku thotë: “Debatet e ngurtësojnë zemrën dhe shkaktojnë pakënaqësi.”

    Hasan el Basriu dëgjoi disa njerëz të cilët po debatonin mes tyre dhe tha: “Këta janë mërzitur nga adhurimi, nuk e peshojnë atë që flasin, e kanë të dobët devotshmërinë, ndaj dhe flasin e debatojnë.”

    Këtu bën përjashtim ai debat që zhvillohet në formë bashkëbisedimi dashamirës, duke ruajtur normat dhe etikën e debatit si dhe duke pasur qëllim të mirë.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Polemizo me ta në mënyrën më të mirë.” (El-Ankebut: 46)

    – Mendimi i keq për muslimanin dhe paragjykimi

    Kjo vjen si rezultat i mosbesimit tek të tjerët derisa mund të arrijë problemi deri në atë gradë që mos t’i besojë askujt dhe të ketë mendim të keq për të gjithë. Pas këtij probleme qëndrojmë shumë sëmundje si mahnitja me vetveten, akuza e të tjerëve, dëshira për nënçmim, etj.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah.” (El-Huxhurat: 12)

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Hiqeni prej vetes dyshimin (paramendimin e keq dhe rezultatin e tij), ngase ai është veti nga më të këqijat.

    Seid ibën Musejeb, radijallahu anhu, thoshte: “Më porositën disa vëllezër muslimanë që të kem mendim të mirë për vëllain tim musliman, derisa të del në shesh e kundërta.”

    – Smira, zilia e të mirave te tjetri

    Ziliqar është ai që kur ia sheh njerëzve begatitë që u janë paraqitur brengoset dhe shpreson e kujdeset që ato t’i humbin, ndërsa kur i godet ndonjë sprovë dhe e keqe ai kënaqet.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nëse ju vjen ndonjë e mirë, ata i brengos e, nëse ju gjen ndonjë e keqe, ata gëzohen, por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që punojnë ata.” (Ali Imran: 120)

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Mos keni zili njëri-tjetrin.”

    – Urrejtja dhe zemërimi

    Kjo do të thotë veprim i gjërave që nxisin urrejtjen mes njerëzve prej fyerjeve, talljeve, përgojimeve, bartjeve të fjalëve, etj.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Mos u urreni, mos ia ktheni njëri-tjetrit shpinën dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër.

    Ibën Rexheb el Hanbeli, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu i ka lavdëruar ata që falin edhe kur janë të zemëruar, siç shprehet në ajetin: “E kur zemërohen, ata falin”, sepse zemërimi e shtyn njeriun të mos mbajë drejtësi dhe të mos flasë të vërtetën dhe pikërisht në atë moment ndodh largimi i zemrave dhe acarimi i marrëdhënieve mes muslimanëve.”

    – Mendjemadhësia dhe nënçmimi i të tjerëve

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, e kërcënon atë që në zemrën e tij ka mendjemadhësi se nuk do të hyjë në Xhenet. Thotë, salallahu alejhi ue selem: “Nuk do të hyjë në Xhenet ai, që në zemrën e tij ka një grimcë mendjemadhësie.” – Një prej burrave tha: O i Dërguar i Allahut, dikush dëshiron, që rrobat dhe sandalet t’i ketë të bukura? – Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është refuzimi i të vërtetës dhe sjellja me arrogance ndaj njerëzve”.

    Refuzimi i të vërtetës do të thotë mospranimi i saj dhe refuzimi me mendjemadhësi i atij, që e thotë atë. Ndërsa sjellja me arrogancë ndaj njerëzve bëhet duke i poshtëruar dhe përbuzur.

    – Thashethemet, përgojimi, zbulimi i të metave dhe bartja e fjalëve nga njëri tek tjetri

    Këto shkaqe ndikojnë negativisht në marrëdhëniet midis njerëzve duke shkaktuar ftohjen e marrëdhënieve, duke i mbushur zemrat me pakënaqësi, duke ndërprerë lidhje dhe duke ndarë të afërmit.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun!(El-Huxhurat: 12)

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk hyn në Xhenet thashethemexhiu”, dhe po ashtu thotë: “Mos u merrni me të metat e të tjerëve (as kur këto i mbani në vete e as kur ato doni t’i publikoni).”

    Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kam takuar në Medine njerëz që nuk kishin të meta, por kur filluan të merren me të metat e tjerëve, atëherë vet u bënë me të meta. Po ashtu kam takuar në këtë qytet njerëz që kishin shumë të meta, por kur heshtën për të metat e të tjerëve, Allahu ia mbuloi të metat e tyre”.

    – Pushteti, postet dhe autoriteti

    Shpeshherë konfliktet mes njerëzve ndodhin për poste dhe autoritet, duke bërë që të garojnë qoftë edhe duke shkelur vlerat e të tjerëve, madje duke përdorur masën e gjerë naive për të arritur interesa të ngushta personale, gjë e cila çon në urrejtjen mes njerëzve dhe në pengimin e përparimit të atyre që e meritojnë, duke i penguar edhe njerëzit që të përfitojnë prej tyre. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vallë, a i kanë zili njerëzit për mirësitë që Allahu u ka dhënë atyre?!” (En-Nisa: 54)

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur ti lihet çështja në dorë atyre që nuk janë të aftë për të, prite Kiametin”.

    Mospajtimi në qëndrime dhe mendime, eksluziviteti medh’hebor dhe fanatizmi pas dikujt apo diçkaje përveç së vërtetës, qoftë ndaj një grupi, fisi, partie apo një personi të caktuar

    Kjo i bën ata të shkelin parimet e ligjëruara nga Allahu dhe të duan apo të urrejnë, të miqësojnë apo të armiqësojnë dikë sipas fanatizmit të tyre.

    Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk i takon askujt që të caktojë një figurë – kushdo qoftë ai- dhe të dojë apo të urrejë për shkak të përputhjes me të në fjalë dhe vepra, sepse përndryshe do jetë nga ata që Allahu i ka cilësuar duke thënë: “Ata të cilët e përçanë fenë e tyre në grupime, ku secili i gëzohet idesë së tij.”

    Nuk i takon askujt që të thërrasë në diçka apo ta besojë atë vetëm pse e ka thënë dikush nga ata që ai i do, por le të thërrasë në të, sepse është nga ato çështje që i ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij.

    – Risitë dhe shpikjet në fe

    Kjo vjen duke folur për fenë e Allahut atë që nuk është e vërtetë, çka shkakton reagimin e pasuesve të Sunetit në mbrojtjen e fesë nga devijimet, që të ruhet e pastër ashtu siç është shpallur.

    Ibën Batah, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Shpikësit në fe dalin nga uniteti në përçarje, nga rregullsia në çoroditje, nga mirëkuptimi në përplasje, nga përputhja në kundërshtime, nga dashuria në urrejtje, nga këshilla dhe dashamirësia në mashtrim dhe armiqësi.”

    Këto ishin disa nga shkaqet e mospajtimit midis njerëzve. Nuk duhet harruar faktin se shfaqja dhe faktorët që ndikojnë në shfaqjen e tyre ndonjëherë mund të jenë të dukshme apo të kenë ndonjë prapavijë të fshehur. Mirëpo sidoqoftë, kur shpirtrat përplasen, plagët hapen dhe mendimet largohen, atëherë njerëzit përçahen dhe me këtë Umeti dobësohet, ndërsa armiku i Islamit forcohet.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kur’anin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë. (Ali Imran: 103)

    Zgjodhi dhe përgatiti: Irfan Jahiu

  • SHKAQET E RIZKUT

    SHKAQET E RIZKUT

    Po të kishte qenë risku i njeriut në duart e njerëzve, sa padrejtësi dhe sa urrejtje dhe sa çorodi do u bënte! Pasha Allahun, nëse atyre ju lihej kjo çështje në dorë do t’i bënin padrejtësi njëri-tjetrit dhe do ta urrenin njëri-tjetrin, madje do ta harronin dhe do ta neglizhonin njëri-tjetrin!

    Allahut i takon falënderimi dhe lavdërimi! Ai nuk i bën padrejtësi askujt, dhe nuk e dëmton, dhe nuk e harron, dhe nuk e neglizhon, po e begaton, dhe e mëshiron, dhe atij mirë i bën: “po edhe në vetet tuaja – a nuk e shihni vallë? Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar Betohem për Zotin e qiellit dhe të Tokës, se kjo (që ju premtohet) është e vërtetë, ashtu siç është të folurit tuaj”. (Edh-Dharijat: 21-23)

    Brenga për riskun i ka ngrënë disa zemra dhe i ka lodhur disa mendje. Disa njerëz kur dëgjojnë për ndryshimet ekonomike, dhe për ndryshimet e çmimeve, dhe për problemet jetësore, bien në depresion dhe stresohen, thuaj ti se ata nuk e dinë se Allahu garantoi furnizimin për të gjitha krijesat e Tij, besimtarë dhe jobesimtarë, të fortin dhe të dobëtin, të moshuarin apo të voglin: “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij. Ai di vendbanimin e saj dhe vendin e vdekjes. Të gjitha këto janë (të shënuara) në Librin e qartë”. (Hud: 6) dhe ”Sa krijesa ka që nuk e mbajnë dot veten me ushqim! Allahu u jep atyre dhe juve! Ai dëgjon dhe di gjithçka”. (El-Ankebut: 60)

    S’ka njeri që del nga kjo dynja pa e plotësuar riskun e tij. Allahu ia shënoi të birit të Ademit riskun dhe ia përcaktoi atë para se të del në dynja. Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: ”Më ka treguar i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kurse ai është ai i cili e fliste të vërtetën dhe të cilit i besohet: “Vërtet çdonjëri nga ju formohet në përbrendësen e nënës së tij dyzet ditë si pikë, pastaj bëhet e varur ngjashëm me këtë periudhë, pastaj, bëhet copë mishi ngjashëm me këtë periudhë, pastaj i dërgohet meleku dhe e frymëzon në të shpirtin, dhe këtij meleku i urdhërohen dy gjëra: ta shkruaj nafakën (riskun) (e fëmijës), exhelin (sa do të jetojë), veprat dhe (në pikëpamje të jetës tjetër) a është i fatshëm apo i pafatshëm.”

    Në vazhdim do t’i paraqesim disa nga shkaqet që e sjellin riskun të bazuara në Kur’an dhe Sunet.

    E para nga ato dhe më rëndësishmja është devotshmëria (takvaja). Ai që ia ka frikën Allahut dhe kapet për ligjet e Tij, i jep furnizim prej nga nuk i shkon mendja dhe prej nga nuk e pret dhe nuk e shpreson. Ky është premtim i prerë nga Allahu: ”Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret”. (Et-Talak: 2-3)

    Nga shkaqet e riskut është edhe istigfari (kërkim falja) dhe vazhdimësia në të. Allahu për Nuhin, alejhi selam thotë: ”e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh: 10-12)

    Dhe për Hudin, alejhi selam, thotë: “O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Mos u shmangni prej Atij duke qenë keqbërës!” (Hud: 52)

    Me një hadith përcillet: “Kush e shpeshton istigfarin Allahu do t’ia hap për çdo gjë nga një rrugë dhe për çdo vështirësi i ofron lehtësim dhe do ta furnizojë nga nuk e mendon”.

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë se kjo është argument se istigfari e sjell riskun dhe është shkak për zbritjen e shiut.

    Nga shkaqet e riskut është edhe mbështetja e drejtë në Allahun. Pra të lidhet zemra me Zotin e saj dhe t’ia mbështet çështjet Atij. Ai që i mbështetet Allahut, Ai i mjafton, dhe i largohet ajo që e preokupon dhe e mundon, dhe e furnizon prej ku nuk e pret. Përcillet me një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Sikur ju të mbështeteni ne Allahun me mbështetje të vërtetë, Allahu do t’ju furnizojë ashtu siç furnizon zogun, del në mëngjes i uritur dhe ngryset i ngopur”.

    Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky hadith është bazë për tevekulin (mbështetjen në Allahun) dhe është një nga shkaqet kryesore që e sjellin riskun”.

    Disa nga të parët tanë thoshin: Tevekuli ta sjell riskun pa lodhje dhe mundim!

    Ajo që duhet të dihet është se tevekuli (mbështetja në Allahun) nuk e kundërshton marrjen e shkaqeve dhe përpjekjen në kërkim të riskut. Allahu për sa i përket marrjes së shkaqeve të riskut tha: ”Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai”. (El-Mulk: 15) dhe tha: ”Ai e di se disa prej jush do të jenë të sëmurë, disa do të udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar mirësitë e Tij (për jetesë)”. (El-Muzemil: 20)

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, tha: Allahu në këtë ajet e barazoi atë që lufton në rrugë të Allahut me atë që del dhe e kërkon riskun në hallall, dhe atë e shpenzon për veten dhe familjen dhe për bamirësi. Dhe kjo është argument se të kërkuarit e riskut apo përfitimi është në gradë të luftës në rrugë të Allahut, sepse në ajet i ceki të dyja bashkë.

    Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: Mos ta lëre asnjëri nga ju kërkimin e riskut dhe të thotë: O Zot, më furnizo! Ju e dini se qielli nuk pikon ari dhe argjend!

    Nga shkaqet e riskut është edhe respektimi i lidhjes farefisnore.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: ”Kush dëshiron t’i shtohet risku (furnizimi) dhe t’i zgjatet jeta le të mbajë lidhjet farefisnore”.

    Respektimi i lidhjes farefisnore lë gjurmë të çuditshme dhe fryte të dëshmuara; duke filluar nga lehtësimi i rizkut dhe zgjatjes së jetës dhe mbjelljes së dashurisë.

    Prej urtësisë dhe meritës së Allahut është se e bëri shpenzimin nga shkaqet e shtimit të riskut. Ai që jep, Allahu ia zëvendëson dhe e bekon në atë që e posedon: ”Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë”. (Sebe’: 39) E zëvendëson me bereqet dhe me shtim të pasurisë në dynja, kurse në ahiret me shpërblime të mëdha: ”Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm”. (El-Bekare: 268)

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Dy janë nga Allahu dhe dy janë nga shejtani! Shejtani ju premton fukarallëk dhe thotë: mos shpenzo dhe mbaje për vete se ti ke nevojë për të dhe ju urdhëron në të ligë, kurse Allahu ju premton falje nga gjynahet dhe mëkatet dhe ju premton shtim në risk”.

    Në një hadith kudsij: ”O biri i Ademit, shpenzo (në bamirësi) e Unë do të shpenzoj për ty”.

    Dhe me një hadith të vërtetë: ”Nuk ka ditë që nuk zbresin dy melekë prej Allahut dhe thonë: O Allah, jepi atij që jep dhe atij që nuk jep shkatërroja pasurinë”.

    Prandaj shpenzoni dhe përgëzohuni me zëvendësim të gjerë nga mirësitë e Allahut. Madje Allahu tha: ”Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka, ndërsa i varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd mbi sa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin”. (Et-Talak: 7)

    Nga shkaqet e rizkut dhe të shtimit të tij është edhe bamirësia ndaj të varfërve dhe të mjerëve dhe nevojtarëve. Me një hadith përcillet: ”Vallë ndihma dhe rizku a nuk ju vjen nga shkaku i të ngratëve që keni në mesin tuaj”.

    Kjo i përfshin shtresat e nevojtarëve nga të varfrit, të mjerët, të sëmurëve, të huajve dhe atyre që nuk kanë familje.

    Nga shkaqet më madhështore të riskut dhe të shtimit të tij, madje ky shkak është gjithëpërfshirës i gjitha shkaqeve të mëhershme, është qëndrueshmëria në fenë e Allahut, dhe të vepruarit me vepra të mira dhe largimi nga ato të ligat. Risku nuk shtohet vetëm se me shtimin e adhurimeve dhe nuk pakësohet apo humbet vetëm se si shkak i gjynaheve dhe mëkateve. Robi privohet nga risku dhe furnizimi për shkak gjynaheve që i bën.

    Gjynahet, mëkatet dhe të ligat janë dyert më të mëdha që i mbyllin burimet e riskut, qoftë ajo për individin apo për shoqërinë! Gjynahet dhe mëkatet i vështirësojnë shkaqet e arritjes së riskut dhe e shkatërrojnë bereqetin: ”Sikur të qëndronin (banorët e Mekës) në rrugën e vërtetë, Ne do t’u jepnim ujë të bollshëm, për t’i vënë ata me këtë në sprovë. Por këdo që largohet nga këshillat e Zotit të tij, Ai do ta hedhë në një dënim të ashpër”. (El-Xhin: 16-17)

    Ai që do risku t’i shtohet dhe jetesa t’i përmirësohet dhe bereqeti ta kaplojë, le të kapet për fenë e Allahut, dhe le t’i respektojë ligjet e Tij, le t’i largohet ndalesave të Tij dhe ta mbrojë veten nga vendet që është i zemëruar Allahu me to!

    O ju muslimanë, frikojuni Allahut dhe meditoni këtë hadith të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ku thotë: ”Vërtetë Shpirti i Shenjtë (Xhibrili) e ka vulosur në zemrën dhe shpirtin tim se asnjë njeri nuk mund të vdes pa e plotësuar exhelin (afatin e jetës së tij), dhe pa e harxhuar apo shpenzuar rizkun e caktuar të Tij. Frikësojuni Allahut dhe kërkoni prej Tij, mos e lejoni veten për të mos kërkuar rizk prej Allahut e pastaj të kundërshtoni dhe të mos i përfillni urdhrat e Allahut. Vërtet prej Allahut përfitohet duke respektuar urdhrat e Tij”.

    Dr. Salih Humejd

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • QARTËSIMI I SHKAQEVE TË LUMTURISË

    QARTËSIMI I SHKAQEVE TË LUMTURISË

    Plot nga njerëzit, mendojnë se lumturia dhe shpëtimi, janë në gjërat kalimtare të kësaj dynjaje. Një grup nga ta, lumturinë e paramendojnë në arritjen e pasurisë, në arritjen e pushtetit dhe fuqisë dhe të kënaqurit me epshe dhe pasimin e tyre. Një grup tjetër, lumturinë e paramendon në garat mes vete, në shpikje dhe ndërtim dhe të ngriturit e tyre mbi të tjerët. Duke u bazuar mbi këtë teori, ata, e shpenzuan jetën e tyre, kohën e tyre dhe të gjitha fuqitë i harxhuan, me qëllim që t’i arrijnë ato gjëra, të cilat sipas teorisë së tyre, janë mjetet e lumturisë dhe shpëtimit në dynja!

    Kjo u bë preokupimi i tyre kryesor dhe brenga më e madhe, derisa në mendjen e tyre nuk la vend për mendime të tjera. Kjo u bë tema e ndejave të tyre dhe sfera e garave mes vete.

    Karuni, u shkatërrua dhe u ndëshkua për shkak të pasurisë me të cilën e furnizoi Allahu. Në dorë i kishte çelësat e thesareve të pasurive të dynjasë, mirëpo ajo nuk i bëri dobi.

    Faraoni, u shkatërrua dhe ndëshkua për shkak pushtetit dhe mbretërisë, dhe thoshte: “O populli im! Vallë, a nuk më përket mua sundimi i Egjiptit dhe i këtyre lumenjve që rrjedhin pranë meje?”. (Ez-Zuhruf: 51)

    Popujt e mëhershëm, si populli i Adit, Themudit, etj, u shkatërruan për shkak ndjekjes së kënaqësive dhe epsheve: “Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad, banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe, të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?! Dhe me fisin Themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)? Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)? Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre, duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin, prandaj Zoti yt lëshoi mbi ata kamxhikun e dënimit. Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!”. (El-Fexhr: 6-14)

    Në sferën e ndërtimtarisë dhe shpikjes, shumë popuj bashkëkohorë, filluan ta humbin rehatinë dhe sigurinë, për shkak kërcënimeve që ua bëjnë popujt e tjerë, apo ia bëjnë njëri-tjetrit, me qëllim të paraqitjes të fuqisë së tyre, njëri karshi tjetrit. Filluan të garojnë mes veti në armatim dhe fuqi, pra, në mjete shkatërrimi e jo në mjete që japin siguri dhe rehati. Njerëzit filluan të jetojnë në frikë, se do të ndodhë në çdo moment luftë dhe çorodi në tokë.

    O robërit e Allahut! Kjo vjen atëherë kur nuk ka iman. Nëse nuk merret si bazë besimi i drejtë, atëherë do të shkatërrohet dynjaja, lumenjtë, ndërtimet, etj., dhe vepra s’ka asnjë dobi. Allahu thotë: “Vepra e atyre, që nuk besojnë Zotin e tyre, i shëmbëllen hirit, të cilin e shpërndan era në një ditë të stuhishme. Ata nuk do të kenë asnjë dobi nga veprat që kanë punuar. Kjo është humbja e madhe”. (Ibrahim: 18); “Thuaj: “A doni t’ju lajmëroj për ata që, më së shumti, humbasin nga punët e veta, për ata, përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira?” Këta janë ata, që nuk kanë besuar në shpalljet e Zotit të tyre dhe në takimin me Të. Punët e tyre do të fshihen, andaj Ne nuk do të vëmë kurrfarë peshe për ta (për veprat e tyre), në Ditën e Kiametit”. (El-Kehf: 103-105)

    Atë që e përjetojnë jobesimtarët nga pasuria, pozita, fuqia, pushteti, shpikjet e ndërtimtaria, Allahu e quajti si kënaqësi e shkurtër, e përkohshme, e cila do të kalon shumë shpejt, dhe atë do ta vijon humbja dhe zjarri i Xhehenemit. Allahu tha: “Ti (o Muhamed) mos u mashtro nga bredhja e jobesimtarëve nëpër botë! Kjo mirëqenie është e shkurtër; pastaj, strehimi i tyre është Xhehenemi. Eh, sa shtrat i keq është ai vend!”. (Ali Imran: 196-197)

    Madje, Allahu gjykoi mbi jobesimtarët, duke i përfshirë këtu mbretërit, pushtetarët, dijetarët, mendimtarët e tyre, se ata të gjithë janë krijesat më të këqija dhe më të liga. Allahu tha: “Krijesat më të këqija tek Allahu janë ata që mohojnë dhe që nuk do të besojnë”. (El-Enfal: 55); “Në të vërtetë, ata që nuk besojnë prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarëve, do të hyjnë në zjarrin e Xhehenemit, në të cilin do të mbeten përgjithmonë. Ata janë krijesat më të këqija”. (El-Bejine: 6)

    Shumë njerëz mahniten me bukuritë e kësaj dynjaje, dhe lidhen tepër fortë për të dhe e harrojnë ahiretin. Allahu thotë: “Ata që nuk besojnë, janë të joshur nga jeta e kësaj bote, prandaj tallen me besimtarët. Por njerëzit që i frikësohen Allahut, do të jenë mbi ata – në Ditën e Kiametit. Allahu begaton pa kufi kë të dojë”. (El-Bekare: 212); “Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu”. (Ali Imran: 14)

    Jobesimtarët dhe disa nga muslimanët, të cilët besimin e kanë të dobët, sot, kur i shohin jobesimtarët se kanë përparuar në disa sfera të shkencës dhe kur ua shohin disa bukurisë të dynjasë se i kanë në duart e tyre, mahniten me ta dhe i madhështojnë shpirtrat e tyre. Kurse kur e shohin dobësinë e muslimanëve dhe ngecjen e tyre në shkencë, mendojnë se sebepi i kësaj ngecjeje qëndron në Islamin. Kjo, e bën që Islami dhe muslimanët të përbuzen në shpirtrat e tyre. Ata nuk e dinë se sebepi i ngecjes së muslimanëve nuk është Islami, por janë vetë muslimanët, të cilët u larguan nga feja e Allahut dhe u larguan nga kuptimi i drejtë i tij, i cili nxit në marrjen e shkaqeve dhe përfitimin e fuqisë. Islami është fe e fuqisë dhe e krenarisë, mirëpo kërkon njerëz që ta bartin atë.

    I garantuar është falimentimi i jobesimtarëve dhe humbja e tyre, në dynja dhe ahiret, ngase tek ata mungojnë elementet e lumturisë dhe shpëtimit, ku më të dalluarat janë, besimi në Allahun dhe në Ditën e Kiametit.

    Allahu për besimtarët garantoi se do të jenë të shpëtuar: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve), – të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht”. (El-Mu’minun: 1-11)

    Nga shkaqet e shpëtimit dhe lumturisë është edhe pendimi nga gjynahet dhe veprat e mira: “Porse, ai që pendohet, beson dhe bën vepra të mira, do të jetë i shpëtuar”. (El-Kasas: 56)

    Nga shkaqet e shpëtimit dhe të lumturisë është edhe të kapurit për përmendjen e Allahut: “dhe përmendni shumë Allahun që të fitoni”. (El-Enfal: 45)

    Nga shkaqet e shpëtimit dhe të lumturisë është edhe zbukurimi i shpirtit me cilësi të mira dhe largimi nga cilësitë e liga: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë”. (Esh-Shems: 9-10)

    Nga shkaqet e shpëtimit dhe të lumturisë është edhe shpenzimi i pasurinë në rrugë të Allahut dhe largimi nga koprracia: “I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!”. (El-A’la: 14-15), dhe tha: “dhe shpenzoni për bamirësi në të mirën tuaj. Ata që e ruajnë veten nga lakmia e saj, pikërisht ata janë të fituarit”. (Et-Tegabun: 16)

    O ju besimtarë! Do të vjen ajo ditë ku do të dallohet ai që fitoi dhe ai që humbi. Ajo ditë, është dita ku do të peshohen veprat: “Peshimi (i veprave), atë ditë do të jetë i drejtë. Ata që u rëndon peshorja me vepra të mira, do të jenë të shpëtuar; kurse ata që e kanë të lehtë peshoren me vepra të mira, do të humbin veten e tyre, për shkak se mohuan shpalljet Tona”. (El-A’raf: 8-9)

    E keni mundësinë të përgatiteni për këtë peshore! Shtoni nga veprat e mira dhe pastroni shpirtin. Mendoni se si të rëndohet peshorja e juaj me vepra të mira, dhe dijeni, se veprat shpërblehen sipas përfundimit! Ashtu si veproni, ashtu do të veprohet edhe me juve!

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • POROSI DREJTUAR ATIJ QË UDHËTON PËR TË VIZITUAR QABENË

    POROSI DREJTUAR ATIJ QË UDHËTON PËR TË VIZITUAR QABENË

    Shumë nga myslimanët kujdesen të udhëtojnë për në Mekë, që të vizitojnë Qabenë dhe kanë dëshirë që pushimin ta kalojnë në Mesxhidul Haram, të kryejnë umren dhe adhurime të tjera. Në vazhdim po përmend disa vepra që preferohet të veprohen përgjatë qëndrimit në Mekë, që të përfitojnë nga qëndrimi i tyre në këtë tokë të shenjtë:

    1. Tavafi rreth Qabesë. Ibn Omeri përcjell se e ka dëgjuar Pejgamberin, alejhi selam, të thotë: “Kush bën shtatë xhiro rreth Qabesë, duke i bërë të plota dhe të përkryera, llogaritet sikurse të ketë liruar një skllav.”

    Prandaj, shpeshtoji xhirot rreth tavafit.

    2. Shfrytëzimi i kohës për të bërë adhurime, qëndrimi në Mekë është mundësi e mirë për t’i shtuar të mirat dhe tregti fitimprurëse me Allahun.

    Në Qabe mos u bëj dembel për adhurim,

    sepse koha aty është për shfrytëzim.

    3. Disa myslimanë nga gjeneratat e para kujdeseshin gjatë qëndrimit në Mekë që të bënin hatme Kuranin, të jepnin sadaka dhe të agjëronin. Këtë e vepronin që t’u shtoheshin të mirat.

    4. Në Xhaminë e Haremit mbahen ligjërata të rregullta, andaj mos e lër të të ikë kjo mundësi që të prezantosh në to. Po ashtu mundohu të qëndrosh sa më shumë në xhami për të falur namazin me xhemat dhe shtoji duatë.

    5. Prej teje pritet sjellja e mirë. Mos harro që fjala e mirë llogaritet sadaka, ndërsa për durimin gjatë ballafaqimit me kallaballëkun ka shpërblim dhe të shlyhen gjynahet.
    6. Kujdesu për pastërtinë e xhamisë dhe oborrin e saj.

    7. Vizitoji organizatat humanitare dhe bamirëse, takoji dijetarët dhe hoxhallarët që jetojnë në Mekë.

    – Vizitori i Xhamisë së Haremit duhet t’i ketë parasysh këto gjëra:

    1. Nuk duhet të rezervojë vend të veçantë ku ta falë namazin, sepse kjo ndalohet.

    2. Nuk duhet të merret pa nevojë me celularin e t’i pengojë të tjerët me zërin e tij, veçmas nëse ka muzikë në të.

    3. Fëmijët t’i marrë me vete në xhami e jo t’i lërë të bredhin shitoreve dhe oborreve përreth.

    Këto udhëzime dhe këshilla ishin për ata që synojnë ta vizitojnë Shtëpinë e Allahut. I veçuam në vete me përmendje për shkak të madhështisë dhe respektit që e ka Qabeja. Allahu thotë: “Allahu e ka bërë Shtëpinë e Shenjtë të Qabesë, muajin e shenjtë, kurbanin dhe shenjat e tyre vlera të përhershme për njerëzimin…” (El Maide, 97)

    Allahu me mirësinë dhe dhuntinë e Tij na bëftë prej atyre që e vizitojmë sa më shpesh Qabenë!

    Dr. Muhamed el Munexhidi

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [Pjesë e librit: Udhëtimi Udhëtimi (rregull, norma, fetva)]

  • AGJËRIMI VULLNETAR

    AGJËRIMI VULLNETAR

    MUNDËSI E PASTËR

    Ata që punojnë me ndërrime dhe nëpër rajone të izoluara, kanë mundësi të madhe për agjërim vullnetar. Kur janë në ndërrim të natës, e kanë më lehtë gjatë ditës të agjërojnë, sepse pushojnë dhe flenë. Kështu e kishte zakon një punëtor i cili tregon se i agjëronte gjashtë ditët e Shevalit, tri ditët për çdo muaj etj. gjatë javëve kur ishte në ndërrimin e natës.

    AGJËRIMI I DITËVE TË BARDHA

    Pëlqehet të agjërohen për çdo muaj dita e 13-të, e 14-të dhe e 15-të e muajve hënorë, duke u mbështetur në hadithin e Ebu Dherrit h, i cili tregon: “Na urdhëroi Pejgamberi ﷺ t’i agjërojmë gjatë muajit tri ditët e bardha.”[1] E kanë marrë emrin ditët e bardha shkaku i dritës që del nga hëna e plotë e cila e ndriçon qiellin gjatë natës. Hëna në ato net shfaqet e plotë, duket e qartë dhe me dritë që e zbardhon natën e, pasi drita i përfshin ato net, i përshtatet rastit që ato ditë të përfshihen me adhurim.

    AGJËRIMI I TRI DITËVE NË ÇDO MUAJ

    Pejgamberi ﷺ e porositi Ebu Hurejrën h t’i agjëronte për çdo muaj nga tri ditë.

    Kur duhet të agjërohen këto ditë? A detyrohet të agjërohen të pandara?

    Përgjigjja: “Lejohet të agjërohen rresht njëra pas tjetrës, apo të ndara kurdo brenda muajit.”

    U pyet Aisha i nëse Pejgamberi ﷺ i agjëronte tri ditë për çdo muaj. U përgjigj: “Po.” E i thanë: “Cilat ditë brenda muajit i agjëronte?” U tha: “Nuk ua vinte mendjen se cilave ditë të muajit t’i agjërojë.”[2]

    Pejgamberi ﷺ thoshte: “Agjërimi i tri ditëve në çdo muaj është njëlloj sikur të ketë agjëruar tërë vitin.”[3]

    I porositi disa sahabë t’i agjëronin nga tri ditë, prej tyre, Ebu Hurejrën, Kehmes el-Hilalin, Ebu Dherin, Abdullah ibn Amrin, Ebu Derdanë dhe Umu Selemen j.

    Pëlqehet që agjërimi i këtyre tri ditëve të jetë në ditët e bardha. Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Pejgamberi ﷺ lajmëroi se agjërimi i tri ditëve në çdo muaj është njëlloj sikur të ketë agjëruar tërë vitin, mirëpo më e mira është që agjërimi i tyre të bëhet në ditët e bardha.”[4]

    Shpresohet për atë i cili i agjëron këto ditë me nijet për gjashtë ditët e Shevalit, t’i shkruhen atij dy shpërblime.

    Po qe se dëshiron këto tri ditë t’i agjërojë në ditët e bardha (d.m.th. në ditën e 13-të, të 14-të dhe të 15-të të muajve hënorë), mirëpo ditën e 13-të të muajit Dhulhixhe nuk mundet ta agjërojë për shkak se është prej ditëve të Teshrikut (dita e 4-të e Kurban Bajramit). Dijetari, Ibn Bazi, Allahu e mëshiroftë, për këtë thotë: “Mund të agjërohet dita e 14-të dhe e 15-të e muajve hënorë e, nëse do ta agjërojë të 16-tën apo ndonjë ditë tjetër të muajit të Dhulhixhes që t’i plotësojë tri ditë, nuk është problem, kjo është më e mirë.[5]

    AGJËRIMI NË DITËN E XHUMA

    Ka ardhur ndalesë që dita e xhuma të veçohet me agjërim, përveç kur asaj dite i shtohet një ditë para apo mbrapa, apo ai i cili e ka zakon të agjërojë një ditë po dhe një ditë jo, apo ai i cili i agjëron tri ditët e bardha, apo e agjëron ditën e Arafatit (apo ditën e Ashurës) dhe agjërimi i këtyre ditëve bie në ditën e xhuma.[6]

    Po ashtu “i lejohet myslimanit në ditën e xhuma t’i agjërojë ditët e mbetura nga Ramazani, qoftë edhe nëse e veçon xhumanë me agjërim.”[7]

    Ai që agjëron në ditën e xhuma, pa e agjëruar një ditë para, pra ditën e enjte, duhet që agjërimit të ditës së xhuma t’ia shtojë agjërimin e ditës së shtunë dhe kështu t’i ikën ndalesës që e xhumaja të veçohet me agjërim, sepse Pejgamberi ﷺ i tha nënës së besimtarëve Xhuvejrije bint El-Harith i, e cila kishte agjëruar në ditën e xhuma: “Dje a mbajte agjërim?” – Iu përgjigj: “Jo.” – Pejgamberi ﷺ i tha: “E ditën e nesërme a do të agjërosh?” – Iu përgjigj: “Jo.” – “Atëherë mos agjëro as sot.” – i tha Pejgamberi ﷺ. [8]

    GRUAJA DHE AGJËRIMI VULLNETAR

    Nuk i lejohet gruas të agjërojë nafile si gjashtë ditët e Shevalit etj. pa lejen e burrit të saj, duke u mbështetur në hadithin: “Nuk i lejohet gruas të agjërojë (agjërim vullnetar) duke qenë burri i saj i pranishëm (në shtëpi apo në vend), pa lejen e tij.”[9] Kjo, për shkak se haku ndaj burrit është më i madh se agjërimi vullnetar.

    Nëse ka filluar të agjërojë nafile pa lejen e tij dhe ai e urdhëron ta prishë agjërimin, duhet t’i bindet atij.

    Nëse burri e lejon të agjërojë e më pas e ndërron vendimin dhe kërkon prej saj ta prishë agjërimin, duhet t’i bindet edhe në këtë rast.

    Gruaja që burrin e saj nuk e ka të pranishëm, mund të agjërojë pa lejen e tij.

    Ndërsa, për sa i përket kompensimit të ditëve të mbetura, nëse hapësira është e gjerë (d.m.th. ka kohë për t’i kompensuar), nuk lejohet të agjërojë pa lejen e tij, por, nëse nuk ka hapësirë dhe koha është e ngushtë për t’i kompensuar ditët e mbetura nga Ramazani, p.sh., nëse është në muajin Shaban, në dhjetëshin e fundit të tij dhe ajo i ka dhjetë ditë të paagjëruara, në këtë rast agjëron pa marrë leje prej tij.[10]

    AGJËRIMI NË MUAJIN MUHARREM

    Muaji Muharrem[11] e ka marrë këtë emër nga fakti se bën pjesë në muajt e shenjtë[12], duke e vërtetuar në këtë formë shenjtërinë e tij.

    Pejgamberi ﷺ tha: “Agjërimi më i mirë pas atij të muajit Ramazan është agjërimi në muajin e Allahut, muajin Muharrem.”[13] Dedikimi i muajit si muaj i Allahut është në shenjë nderimi dhe madhështie, gjë që aludon në vlerën dhe madhështinë e tij si muaj. Pëlqehet të agjërohet sa më shpesh gjatë këtij muaji.

    Hasen Basriu, Allahu e mëshiroftë, tha: “Allahu e filloi vitin me një muaj të shenjtë dhe e përfundoi me një muaj të shenjtë, andaj tek Allahu, pas muajit Ramazan, nuk ka muaj më të mirë brenda vitit se muaji Muharrem.”[14]

    Fjalët e Pejgamberit ﷺ në hadith: “Agjërimi më i mirë pas atij të muajit Ramazan është agjërimi në muajin e Allahut, muajin Muharrem”:

    Sqarojnë se muaji Muharrem është muaji më i mirë pas muajit Ramazan.

    Ia dedikoi Vetes muajin Muharrem si “muaji i Allahut” në shenjë nderimi dhe madhështie të agjërohet në të.

    Më mirë është të mos agjërohet krejt muaji, duke u bazuar në fjalën e Aishes i: “Nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ  që e ka agjëruar ndonjë muaj plotësisht përveç Ramazanit.”[15] Megjithatë, nëse e agjëron, nuk është problem.

    Ditët më të mira të muajit Muharrem janë dhjetëshi i parë.[16]

    AGJËRIMI I ASHURËS[17]

    Pejgamberi ﷺ tha: “Për agjërimin e ditës së Ashurës, shpresoj që Allahu të m’i shlyejë gjynahet e vitit që kaloi.”[18]

    Agjërimin e plotë të Ashurës agjëruesi e merr kur nijetin e bën natën (d.m.th. deri në kohën e imsakut). Ngritja në syfyr llogaritet bërje e nijetit.

    Lejohet të agjërohet Ashura veç në ditën e dhjetë, megjithatë atij që i ka ikur mundësia t’ia shtojë ditës së dhjetë një ditë para, pra ditën e nëntë të Muharremit, pëlqehet ta agjërojë ditën e njëmbëdhjetë të Muharremit. Kështu i kundërshton hebrenjtë dhe e merr shpërblimin.

    Më e mirë për udhëtarin është ta agjërojë këtë ditë përderisa nuk ndien vështirësi.

    Sahabët i kalitnin fëmijët e tyre ta agjëronin  ditën e Ashurës dhe kur ata ndienin uri, i mashtronin me lodra.

    Lejohet të veçohet dita e dhjetë e Muharremit me agjërim, por më mirë është t’i bashkëngjitet një ditë para. Agjërimi i ditës së nëntë dhe të dhjetë është më i mirë se agjërimi i ditës së dhjetë dhe të njëmbëdhjetë, sepse Pejgamberi ﷺ tha: “Nëse jam gjallë vitin që vjen, do ta agjëroj ditën e nëntë.”[19] Kur i bashkëngjitet dita e nëntë ditës së dhjetë, kështu i kundërshton hebrenjtë dhe është më e sigurt për ta qëlluar ditën e Ashurës.

    Myslimani e mbron veten duke bërë vepra që ia shlyejnë gjynahet, si: agjërimi i Ramazanit, i ditës së Ashurës, i ditës së Arafatit, marrja e abdesit, falja e namazit, xhumaja, përputhja e aminit të namazfalësit me aminin e melekëve (pasi ta lexojë suren Fatiha në namaz).

    Këto vepra i shlyejnë mëkatet e vogla e, nëse ato njeriu nuk i ka, atëherë shpresohet t’i lehtësohen mëkatet e mëdha. E, nëse ato nuk i ka, atëherë i rriten gradat dhe i shtohen të mirat.[20]

    Dita e Ashurës është ditë madhështore nga ditët e Allahut, ashtu siç erdhi në hadith[21], ndërsa Allahu thotë: “… Dhe përkujtojua atyre ditët e Allahut….” (Ibrahim: 5).

    Agjërimi i ditës së saj i shlyen mëkatet e vitit të kaluar. Të përbashkët me agjërimin e ditës së Arafatit e ka shlyerjen e mëkateve, saqë me agjërimin e këtyre dy ditëve, pastrimi nga mëkatet bëhet më i fortë dhe i rriten shkallët besimtarit më lart.

    Agjërimi i ditës së Ashurës ka qenë i patjetërsueshëm para se të detyrohet agjërimi i muajit Ramazan, e më pas u bë i pëlqyeshëm.

    Në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe e fundosi në det faraonin dhe popullin e tij. Kjo ndodhi na kujton me disa gjëra:

    – Allahu i shpëton të dashurit, besimtarë e vepërmirë që e kanë frikë Allahun.

    – Sado umeti të jetë i dobët, mos u dëshpëro, por mbështetu në Allahun dhe bëj sabër.

    – Zullumqarëve u vjen fundi.

    – Allahu me bujarinë e Tij për një vepër të vogël (agjërimin e një dite), fal shumë (shlyen mëkatet e një viti).

    Ibn Abasi h përcjell se Pejgamberi ﷺ kur erdhi në Medine i gjeti hebrenjtë duke e agjëruar ditën e Ashurës dhe u tha: “Çfarë është kjo ditë që ju po e agjëroni?” I thanë: “Kjo ditë është madhështore, Allahu në të e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga armiku i tyre dhe Musai këtë ditë e agjëroi në shenjë falënderimi dhe po e agjërojmë edhe ne.” Pejgamberi ﷺ tha: “Ne kemi më shumë të drejtë dhe jemi më meritorë për Musain sesa ju.”; kështu që Pejgamberi ﷺ e agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi të agjërohet.”[22]

    Hadithi tregon se për begatinë e shpëtimit, Allahu u falënderua me agjërim të kësaj dite, ndërsa Pejgamberi ﷺ nuk la që hebrenjtë të veçohen në këtë ditë me mirësi, por i kundërshtoi duke ia shtuar (ditës së dhjetë) një ditë para me agjërim.

    Dita e Ashurës është ditë madhështore ku Allahu e shpëtoi Musain n nga faraoni, armiku i tij. Hadithi: “Ne kemi më shumë të drejtë dhe jemi më meritorë për Musain sesa ju”; tregon se myslimani është më meritor t’i do të gjithë të dërguarit e Allahut, të besojë në ta, t’ua respektojë pozitën dhe t’i urrejë armiqtë e tyre: “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij…” (El-Bekare: 285). Ndërsa, kush i dallon duke besuar në disa prej tyre e duke i mohuar disa të tjerë, apo beson në ndonjërin prej tyre, por nuk e ndjek rrugën e tij, nuk ka të drejtë të lidhet me të apo të flasë në emër të tij.

    Hadithi: “Mos e veçoni me agjërim ditën e xhuma nga ditët e tjera, përveç nëse ndonjëri nga ju agjëron dhe agjërimi i tij përputhet me këtë ditë”[23]; tregon që urrehet të veçohet xhumaja me agjërim. Ndërsa, nëse dita e Ashurës bie në ditën e xhuma, nuk ka pengesë dhe nuk urrehet që kjo ditë të veçohet me agjërim. Myslimani e agjëron me qëllim të Ashurës, sepse është ditë që ligjërohet agjërimi i saj, e jo se është ditë e xhuma.

    Pamjet që i transmetojnë disa kanale televizive me rastin e ditës së Ashurës ku shohim njerëz që veprojnë gjëra të ndryshme (rrahje të vetvetes me shpulla dhe vajtime), që Islami nuk urdhëron në to, por ato janë risi në fe dhe kjo na bën ta falënderojmë Allahun për udhëzimin tonë në sunet. E jona është të mundohemi të pakësojmë nga ato veprime të ndaluara, duke ua mësuar njerëzve fenë e Allahut dhe sunetin.

    Secili hadith që transmetohet prej Pejgamberit ﷺ për vlerën e lyerjes së syve, e ngjyrosjes, e pastrimit, e vizitës së varrezave etj. në ditën e Ashurës, është i pavërtetë dhe gënjeshtër.

    Asnjë hadith ku përmendet vlera e ditës së Ashurës, nuk është i saktë. Hadithet e vetme të sakta janë ato ku përmendet agjërimi, shlyerja e mëkateve të një viti dhe shpëtimi i Musait dhe popullit të tij nga faraoni. Vlera dhe madhështia e këtyre haditheve na mjaftojnë.

    Hadithi: “Ai që tregohet zemërgjerë me familjen e tij në ditën e Ashurës, Allahu do t’i japë me bollëk gjatë tërë vitit”, nuk është i vërtetë.[24]

    A lejohet t’i jepet përparësi agjërimit vullnetar para atij farz, si: kompensimi i ditëve të mbetura etj.? Dijetarët kanë përmendur disa mendime, por më mirë dhe shpërblim më të madh ka nëse i jepet përparësi agjërimit farz. Gruaja që e ka pasur nijet ta agjërojë ditën e Ashurës, por i kanë ardhur menstruacionet, shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit, “sepse po të mos ishte pengesa e menstruacioneve, nijeti i saj ka qenë i sinqertë të agjërojë. Njeriu kur e bën nijetin për vepër të mirë dhe i merr shkaqet, por, ndërkohë, në mes të tij dhe arritjes deri tek ajo vepër, del ndonjë pengesë të cilën nuk mund ta largojë, atij i shkruhet shpërblimi sikur ta kishte bërë atë vepër.”[25]

    Gruaja që e ka zakon ta agjërojë ditën e Ashurës, mirëpo e pengon ndonjë arsye apo sëmundja të agjërojë, shpresohet të marrë shpërblimin sikur të atij që agjëron. Ajo shpërblehet vendosmërinë dhe për keqardhjen që e ndien në zemër që po i ikën ky adhurim. Le të mundohet ta kompensojë këtë dhembje sadopak duke qenë në shërbimin e agjëruesve nga familjarët e saj.

    Po qe se ndonjëri e agjëron ditën e Ashurës në ditën e xhuma (dhe nuk i shton ditë para apo pas) për shkak se Ashura i bie në ditën e xhuma, agjërimi i tij është në rregull. Ndalesa është që xhumaja të synohet që të veçohet me agjërim. Megjithatë, nëse ia shton agjërimit të Ashurës, që bie në ditën e xhuma, ditën e shtunë, do të ishte më mirë.

    AGJËRIMI NË MUAJIN SHABAN

    Usame ibn Zejd h thotë se e pyeta Pejgamberin ﷺ dhe i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Nuk të kam parë të agjërosh ndonjë muaj tjetër sikurse e agjëron muajin Shaban?”  Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Muaji Shaban është muaj të cilin njerëzit e anashkalojnë, ngase është në mes të muajit Rexheb dhe Ramazan. Ky është muaj që ngriten veprat te Zoti i botëve dhe unë dëshiroj që të më ngriten veprat duke qenë me agjërim.”[26]

    Janë tri lloje të ngritjes dhe prezantimit të veprave tek Allahu: ngritja ditore, javore dhe vjetore.

    Lloji i parë: Ngritja ditore; për çdo ditë veprat ngrihen dy herë, një herë brenda natës dhe një herë brenda ditës. Vepra e ditës ngrihet në fund të ditës, kurse vepra e natës në fund të natës.

    Lloji i dytë: Prezantimi javor; dy herë brenda javës prezantohen veprat, ditën e hënë dhe ditën e enjte.

    Lloji i tretë: Ngritja vjetore; veprat e një viti ngrihen përnjëherë në muajin Shaban.

    Është edhe një ngritje tjetër e veprave, ajo e pasvdekjes. Kur të vijë exheli, veprat e jetës në tërësi ngrihen dhe prezantohen para Allahut dhe me këtë mbyllen edhe fletushkat e veprave. Ky është prezantimi i fundit.

    Hadithin “Kur të plotësohet gjysma e Shabanit, mos agjëroni pas asaj dite”[27], shumica e dijetarëve e dobësojnë e disa të tjerë e vlerësojnë të saktë.

    Qëllimi i hadithit është se ndalohet të fillohet me agjërim pasi të plotësohet gjysma e Shabanit, ndërsa ai që e ka agjëruar shumicën e muajit, ia ka qëlluar sunetit.[28]

    Lejohet të agjërohet pasi të plotësohet gjysma e muajit Shaban:

    Ai që ka agjëruar në gjysmën e parë.

    Ai që e ka traditë të agjërojë vullnetarisht, si ditën e hënë dhe të enjte.

    Ai që duhet t’i kompensojnë ditët e mbetura nga Ramazani i kaluar, apo ka ndonjë zotim apo shpagim.

    AGJËRIMI NË DHJETË DITËT E DHULHIXHES

    Agjërimi i dhjetë ditëve të Dhulhixhes për atë që ka ditë të paagjëruara nga Ramazani i fundit:

    Ai që ka ditë të mbetura të paagjëruara, e ka për obligim të fillojë me to para se të fillojë me agjërim vullnetar, sepse farzi është më i rëndësishëm se vepra nafile. Ky është mendimi më i saktë i dijetarëve.[29]

    Ai që ka ditë të paagjëruara, duhet të nxitojë të fillojë me agjërimin e tyre, në vend se të fillojë me agjërimin e nafileve. Kështu e kryen borxhin gjatë këtyre ditëve me vlerë.

    AGJËRIMI NË DITËN E ARAFATIT

    Agjërimi i ditës së Arafatit i shlyen mëkatet e dy viteve. Agjërimi në ditën e Kurban Bajramit dhe në tri ditët pas tij (d.m.th. në ditët e Teshrikut) është i ndaluar dhe ai që e agjëron, bën mëkat. Këtu bën përjashtim haxhiu që nuk ka mundësi të bëjë el-hedjin (kurbanin)[30].

    Allahu thotë: “Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh …” (El-Kasas: 68); “përqendrimi në Islam bëhet vetëm me nënshtrime dhe bindje.”[31]

    Agjërimi i një dite i fshin mëkatet e më shumë se shtatëqind ditëve (pra, të dy viteve). Pejgamberi ﷺ tha: “Agjërimi i ditës së Arafatit, shpresoj dhe llogaris që Allahu t’i shlyejë mëkatet e vitit që kaloi dhe vitit të ardhshëm”.[32]

    Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “I shlyen për dy vjet mëkatet e atij që e agjëron.”[33]

    Sa thesar i vërtetë dhe mundësi e madhe. Pasha Allahun, nuk mund të barazohet me asnjë shumë!

    Udhëtarit, përderisa nuk gjen vështirësi ta agjërojë ditën e Arafatit gjatë udhëtimit të tij, i lejohet të agjërojë.

    Atë që e pengon ndonjë arsye e shëndoshë ta agjërojë ditën e Arafatit, si i sëmuri, gruaja me menstruacione apo gjidhënësja, dhe nga tradita e tyre ka qenë ta agjërojë ditën e Arafatit për çdo vit, ai apo ajo do të shpërblehet sipas nijetit dhe nga pamundësia e agjërimit të kësaj dite, le të përkujdeset të veprojë vepra të tjera bamirësie dhe nga ato që ia shlyejnë mëkatet.

    Më e mira dhe më e përsosura tek agjërimi vullnetar i përcaktuar, ku në të bën pjesë edhe agjërimi i ditës së Arafatit, është që nijeti për agjërim të bëhet natën me qëllim që shpërblimi të jetë i plotë dhe jo i mangët dhe me ngritjen për syfyr llogaritet se është bërë nijeti.

    Sahabët kujdeseshin për agjërimin e fëmijëve të tyre në ditët e mëdha në vlerë sikurse dita e Arafatit, që të mësohen me adhurim dhe respektim të riteve.

    Dijetari, Ibn Bazi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Nëse dita e Arafatit bie në ditën e xhuma, nuk ka pengesë dhe nuk urrehet që kjo ditë të veçohet me agjërim. Myslimani në këtë rast e agjëron të xhumanë si ditë Arafati, e jo se është ditë xhumaje…”[34]

    Po qe se ia bashkëngjit edhe ditën e enjte, do të ishte më mirë, duke e pasur faktin që dita e enjte në këtë rast i bie të jetë, 8 Dhulhixhe, prej dhjetëshit të parë të Dhulhixhes, që janë ditë më vlerë.

    Gruas që i ka mbetur ndonjë ditë e Ramazanit pa agjëruar dhe ditën e Arafatit e agjëron me nijet kompensimi të ditës së humbur të Ramazanit, agjërimi i saj pranohet si kompensim dhe shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit të Arafatit[35]. E njëjta gjë vlen edhe për agjërimin e ditës së Ashurës, nëse agjërohet me nijet kompensimi.[36]

    DITËT E TESHRIKUT

    Pejgamberi ﷺ thotë: “Agjërimi në ditët e Teshrikut nuk lejohet, përveçse për haxhiun që nuk ka mundësi të bëjë el-hedjin (kurbanin)[37].”[38]

    Ditët e Teshrikut, dita e 11-të, e 12-të dhe e 13-të e Dhulhixhes, janë tri ditët që vijnë pas ditës së Kurban Bajramit. Ndryshe quhen edhe si ditët e Minës, ngase në këto ditë haxhilerët qëndrojnë në Mina dhe njashtu janë ditë të gjuajtjes së guralecëve në Xhemarat.

    Shumica e dijetarëve nuk e lejojnë agjërimin e këtyre ditëve, qoftë agjërim vullnetar apo kompensim të ditëve të humbura apo shkaku i zotimit dhe, sipas tyre, ai që i agjëron ditët e Teshrikut, agjërimi i tij është i pavlefshëm.

    Ditët e Teshrikut janë ditë feste dhe nuk lejohet të agjërohen. Pejgamberi ﷺ ndaloi që këto ditë të agjërohen dhe tha: “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënieje, pirjeje dhe përmendjeje të Allahut.”[39]

    Hadithi na e bën të qartë se me ngrënie dhe pirje në ditët e Bajramit, myslimani ndihmohet për ta përmendur dhe adhuruar Allahun. Kështu bëhet falënderimi i plotë për begatitë, ndërsa ai që i përdor begatitë e Allahut për t’i mëkatuar Atij, vetëm se i mohoi ato, e pas kësaj Allahu mund t’ia zhdukë ato.

    VEÇIMI I DITËS SË FUNDIT TË VITIT ME AGJËRIM

    Të veçohet dita e fundit e vitit (hënor) me adhurim si me agjërim apo namaz është risi në fe.

    Nuk lejohet thënia: Përfundoje vitin me agjërim.

     

    Dr.Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë nga libri: “Zahireja e agjëruesit”

     

    [1] Nesaiu (2422), shejh Albani e vlerësoi të mirë.

    [2] Muslimi (1160).

    [3] Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Abdullah ibn Amru k

    [4] Fetava Ibn Uthejmin (20/11).

    [5] Fetava Ibn Baz (15/380).

    [6] Fet’hul Barij (4/347).

    [7] Fetava el-Lexhnetu ed-Daime (10/347).

    [8] Buhariu (1986).

    [9] Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Ebu Hurejrës h.

    [10] Sherh Rijadu es-Salihin, Ibn Uthejmin (3/641).

    [11] Muaji Muharrem është muaji i parë hixhri dhe është muaji i fundit nga muajt e shenjtë. (sh.p.)

    [12] Muajt e shenjtë janë katër: Dhulkade, Dhulhixhe, Muharrem dhe Rexheb. Këta muaj janë me shumë vlerë dhe të bekuar dhe në ta ndalohet rreptësisht lufta. Muaji i parë prej katër muajve të shenjtë është muaji Rexheb, kurse i fundit është Muharrem, edhe pse në kalendarin hixhri në radhitje muaji Rexheb është i shtati, kurse Muharrem është i pari. (sh.p).

    [13] Muslimi (1163).

    [14] Lataiful Mearif, Ibn Rexheb (fq. 36).

    [15] Buhariu dhe Muslimi.

    [16] Lataiful Mearif (fq. 35).

    [17] Dita e Ashurës bie në ditën e dhjetë të muajit Muharrem, të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve të mëhershëm dhe bashkëkohorë, në këtë aludojnë hadithet, këtë kuptim e përmban vetë fjala (Ashura) dhe kjo është e njohur te dijetarët e gjuhës. Ashura është emër islam dhe si emër nuk është njohur në periudhën para Islamit. (Burimi: Muaji Muharrem – Dr. Salih el Munexhid) (sh.p.)

    [18] Muslimi (1162).

    [19] Muslimi (1134).

    [20] Sherh Nevevij ala Muslim (3/113).

    [21] Hadithi: “Ashura është ditë nga ditët e Allahut.” Shënon Muslimi (1892).

    [22] Buhariu (3943), Muslimi (1130).

    [23] Muslimi (1144).

    [24] El-Menar el-Munif (fq. 11-112), Silsiletu el-Ehadith ed-Daife (6724).

    [25] Fetava nurun ala ed-derb, Ibn Uthejmin (11/2).

    [26] Nesaiu (2357), shejh Albani e vlerësoi si të mirë në es-Sahiha (1898).

    [27] Ebu Davudi (2337), Tirmidhiu (738), Ibn Maxhe (1651).

    [28] Fetava Ibn Baz (2357), shejh Albani e vlerësoi të mirë.

    [29] Fetava Ibn Baz (15/395).

    [30] Haxhiu që haxhin e ka Temetu apo Kiran (dy lloje të haxhit) dhe nuk ka mundësi të therë kurban. (sh.p.)

    [31] El-Akide et-Tahavije (fq.43).

    [32] Muslimi (1162).

    [33] Sherh Nevevij ala Muslim (8/51).

    [34] Fetava Ibn Baz (51/414).

    [35] Por, ajo më e mira është që kompensimi i ditëve të humbura të Ramazanit të bëhet jashtë ditës së Arafatit, njëkohësisht, ta agjërojë ditën e Arafatit me nijet agjërimi vullnetar, e më pas t’i agjërojë ditët e humbura të Ramazanit dhe kështu të bashkojë në mes të dy mirësive, mirësisë së kompensimit dhe mirësisë së agjërimit të ditës së Arafatit. (Shih: Fetava el-Lexhnetu ed-Daime (10/398).) (sh.p.)

    [36] Fetava Nurun ala ed-Derb, Ibn Uthejmin (2/11).

    [37] Haxhiu që haxhin e ka Temetu apo Kiran (dy lloje të haxhit) dhe nuk ka mundësi të therë kurban. (sh.p.)

    [38] Buhariu (1998), prej hadithit të Ibn Omerit dhe Aishes j.

    [39] Ebu Davudi (2813), Nesaiu (4230), prej hadithit të Aishes i, Albani e saktësoi.

  • ÇFARË PAS RAMAZANIT?

    ÇFARË PAS RAMAZANIT?

    QËNDRUESHMËRIA NË ADHURIME

    Ditët kalojnë dhe muaji Ramazan përfundon, por vepra e besimtarit nuk përfundon deri në vdekjen e tij. Allahu thotë: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja.” (El-Hixhr: 99)

    Pra, punën e besimtarit e ndërpret vetëm vdekja; agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit, agjërimi i ditëve të bardha, sunetet e rregullta, leximi i Kuranit, namazi i natës, namazi i vitrit etj., janë adhurime të vazhdueshme. Fitimtarë të vërtetë janë ata që Ramazanin e llogarisin periudhë për t’ua bërë të dashur adhurimin dhe për ta kalitur shpirtin në adhurim, e jo veç periudhë e caktuar për të përfituar shpërblime.

    PRANIMI DHE REFUZIMI

    Treguesi që tregon për pranimin e një adhurimi është të vazhdohet pas tij me adhurim. Sa i shëmtuar është nënçmimi që vjen prej mëkatit, pasi kishe krenarinë e veprave të mira.

    O Allah, lartësona me adhurime dhe mos na poshtëro shkaku i gjynahut!

    ZEMRAT E TYRE I KANË PLOT FRIKË

    Abdulaziz ibn Ebi Revad, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “E arrita kohën e tyre (të gjeneratave të para të drejta) kur përpiqeshin në vepra të mira e pasi i vepronin, brengoseshin se a do të pranohen veprat e tyre apo jo?”[1]

    Ai që ka frikë për veprën e tij se a do të pranohet, përpiqet në adhurim dhe nxiton në vepra të mira. Kështu e komentoi Pejgamberi ﷺ ajetin: “Dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë…” (El-Muminun: 60): se ata janë që agjërojnë, falen dhe japin lëmoshë, megjithatë kanë plot frikë se veprat nuk do t’u pranohen.[2]

    Allahu thotë: “Ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët” (El-Muminun: 61)

    MOS U BËJ SI FILANI

    Pejgamberi ﷺ i tha Abdullah ibn Amrit k: “Mos u bëj si filani i cili ngrihej për namaz nate, e më pas e braktisi atë.”[3]

    Mos u bëj si filani i cili e falte vitrin vazhdimisht, e pastaj e la anash. Mos u bëj si filani i cili e lexonte Kuranin në Ramazan, por pas Ramazanit e braktisi. Mos u bëj si filani i cili falej në rreshtin e parë, pastaj vinte i fundit në xhami. Dhe mos u bëj si ai i cili e ushqente të varfrin dhe e ndihmonte nevojtarin, pastaj i la ato.

    AGJËRIMI I GJASHTË DITËVE TË SHEVALIT

    “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali, është njëlloj sikur të ketë agjëruar tërë vitin.”[4]

    Kush e agjëron muajin e Ramazanit, është sikur të ketë agjëruar dhjetë muaj dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pas Fitër Bajramit është sikur të ketë agjëruar dy muaj. Kështu plotësohet një vit:

    Lejohet agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pa shkëputje apo veç e veç brenda muajit Sheval.

    Gjashtë ditët mund të agjërohen kurdo brenda muajit Sheval, prej dy Sheval (dita e dytë e Bajramit) e deri në ditën e fundit të muajit.

    Nuk ka problem nëse ditët e Shevalit agjërohen ditën e shtunë dhe të diel.

    Të kompensohen ditët e mbetura të Ramazanit para se të agjërohen gjashtë ditët e Shevalit (apo çdo agjërimi vullnetar tjetër), është më e mirë dhe më parësore, sepse më shpejt e largon përgjegjësinë.

    – Praktikimi i agjërimit vullnetar pas Ramazanit ka shumë dobi, ndër to:

    Plotësimi i shpërblimit të agjërimit për një vit.

    Agjërimi i Shevalit dhe i Shabanit janë si sunetet e rregullta para dhe pas namazit farz.

    Kompensohet mangësia që ka ndodhur në agjërimin farz të Ramazanit. Gati e pamundshme është të mos ketë ndonjë mangësi në agjërim.

    Praktikimi i agjërimit vullnetar pas Ramazanit është shenjë e pranimit të tij, inshallah (në dashtë Zoti).

    Është një lloj i falënderimit të Allahut për mirësinë e agjërimit të Ramazanit.[5]

    – Më e mira për gruan është të nxitojë me agjërimin e Shevalit para se t’i vijnë menstruacionet. E, nëse për ndonjë arsye nuk mundet t’i agjërojë brenda muajit Sheval, i lejohet t’i agjërojë ditët e Shevalit në muajin Dhulkade i cili vjen pas muajit Sheval.[6]

    – Disa dijetarë thanë: “Nuk e ka shpërblimin e njëjtë agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit në muajin Dhulkade sikur agjërimi i tyre në Sheval[7], megjithatë shpresohet për atë grua që ka pasur arsye, të fitojë shpërblimin mbështetur në hadithin: “Kur robi sëmuret apo është udhëtar, atij i shkruhen shpërblimet, sikurse të ketë qenë vendas dhe i shëndoshë”[8]

    – Kompensimi i ditëve të mbetura të Ramazanit për gruan është borxh ndaj Allahut që bie mbi supet e saj, andaj:

    I jepet përparësi agjërimit të ditëve të mbetura para ditëve të Shevalit, sepse kështu e kryen më shpejt borxhin dhe është më e sigurt. Farzi është më i dashur tek Allahu.

    Nxitimi në kompensimin e ditëve të mbetura është më e lehtë për shpirtin; ai është mësuar me agjërim dhe në ato ditë ka ambient agjërimi, shkaku i atyre që i agjërojnë gjashtë ditët e Shevalit.

    Gruaja e cila ka ditë të paagjëruara prej Ramazanit të mëhershëm, i jep përparësi agjërimit të atyre ditëve para agjërimit të ditëve të paagjëruara nga Ramazani i fundit.

    Lejohet agjërimi i ditëve të bardha dhe i ditës së hënë dhe të enjte, nëse e ka pasur zakon, me një nijet të përbashkët me gjashtë ditët e Shevalit dhe kështu shpresohet t’i arrijë të dyja shpërblimet. Atij që i kanë mbetur ditë nga Ramazani të paagjëruara dhe dëshiron t’i agjërojë në ditën e hënë dhe të enjte apo në ditët e bardha, lejohet t’i agjërojë, por me nijet për agjërimin farz. Nëse e ka pasur zakon t’i agjërojë këto ditë me vlerë, shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit farz dhe shpërblimin e agjërimit vullnetar. Mirësia e Allahut është e gjerë.[9]

    Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është nga agjërimi vullnetar i përcaktuar, andaj ai që do të arrijë shpërblimin e saj, duhet ta bëjë nijetin natën. Nëse e bën nijetin gjatë ditës, agjërimi i tij është në rregull, por si agjërim vullnetar i përgjithshëm dhe jo agjërim i gjashtë ditëve të Shevalit, nëse paraprakisht nuk ka vepruar diçka nga gjërat që e prishin agjërimin. Shpërblimin në këtë rast e merr prej momentit që fillon me agjërim.[10]

    Ndërsa për agjërimin e ditëve të mbetura nga Ramazani, nijeti patjetër duhet të bëhet natën (deri në kohën e imsakut), sepse është agjërim farz.

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Pjesë e librit Sezonet e adhurimit – i përkthyer në shqip)

     

    [1] Lataiful Mearif (fq. 232).

    [2] Tirmidhiu (3175), Ibn Maxhe (4198), prej hadithit të Aishes i, shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [3] Buhariu dhe Muslimi.

    [4] Muslimi (1164).

    [5] Lataiful Mearif (fq. 244).

    [6] Fetava Ibn Uthejmin (20/19).

    [7] Ka mendime të ndryshime për sa i përket kompensimit të gjashtë ditëve të Shevalit në Dhulkade, disa dijetarë e shohin se agjërimi i saj në Dhulkade është njëlloj si në Sheval, disa thonë se nëse agjërohen në Dhulkade, ka shpërblim, mirëpo jo si në Sheval e disa thonë se nëse nuk mund të plotësohet agjërimi në Sheval me arsye, shpresohet për agjëruesin t’i marrë shpërblimet. Dijetari Ibën Baz, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ligjërohet kompensimi i tyre pasi të kalojë Shevali, sepse agjërimi i tyre është sunet dhe koha e tyre ka ikur, pavarësisht a i ka lënë me arsye apo pa arsye.” Njashtu tha për atë që i agjëron katër ditë nga ditët e Shevalit dhe nuk i plotëson të gjashtat me arsye: “Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është adhurim i preferuar dhe jo i detyruar dhe ti e merr shpërblimin për ato ditë që i agjëron në të dhe shpresohet ta marrësh shpërblimin e plotë nëse ka pasur pengesë dhe arsye që të kanë penguar ta plotësosh deri në fund, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kur robi sëmuret apo është udhëtar, atij i shkruhen shpërblimet, sikurse të ketë qenë vendas dhe i shëndoshë” (Buhariu). Andaj, nuk duhet t’i kompensosh ditët që të kanë mbetur. (Mexhmua fetava Ibën Baz, 15/389, 395). Burimi: https://islamqa.info/ar/83292 (sh.p.)

    [8] Buhariu prej hadithit të Ebu Musa el-Esharij h. Fetava Ibn Baz (15/395).

    [9] Kështu na mësoi dijetari ynë i nderuar Abdurrahman el-Berak, Allahu e ruajttë! (sh.a.)

    [10] Fetava Ibn Uthejmin (19/184).

  • AGJËRIMI I GJASHTË DITËVE TË SHEVALIT

    AGJËRIMI I GJASHTË DITËVE TË SHEVALIT

    1. Muaji Sheval[1] është muaj i bekuar. Është muaj i adhurimit dhe me të fillojnë muajt e haxhit[2]. Pëlqehet agjërimi i gjashtë ditëve të tij dhe njashtu preferohet kompensimi i itikafit[3] për atë që nuk e pati mundësinë të qëndrojë në itikaf gjatë Ramazanit. Shevali është muaj i aktit të martesës (niqahut) dhe ruajtjes së nderit në hallall.[4]
    2. Myslimani pasi ta agjërojë muajin e Ramazanit ligjërohet t’i agjërojë edhe gjashtë ditë nga Shevali. Agjërimi i gjashtë ditëve është sunet i pëlqyer dhe jo detyrim, e kanë vlerën e madhe dhe shpërblimin e madh.
    3. Ai që pas muajit Ramazan i agjëron edhe gjashtë ditë nga Shevali i shkruhet shpërblimi i agjërimit të një viti të plotë, ashtu siç erdhi në hadith ku Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali, është njëlloj sikur ka agjëruar tërë vitin.”[5]
    4. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e sqaroi kuptimin e hadithit të lartpërmendur dhe tha: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit, është sikur ka agjëruar dhjetë muaj, dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pas Fitër Bajramit është sikur ka agjëruar dy muaj. Kështu, plotësohet një vit: ‘Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish’.” (El-Enam: 160)”[6]
    5. Nëse dikush pyet: Pasi agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit shumëfishohet me dhjetë syresh sikur shumëfishohen në përgjithësi të mirat, atëherë cili është privilegji i agjërimit të gjashtë ditëve?

    I përgjigjemi: Dijetarët e shkollës juridike hanbelite dhe shafiite deklaruan se agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pasi të agjërohet Ramazani është ekuivalent me agjërimin e një viti agjërim të detyruar.[7]

    1. Nga dobitë e agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit është plotësimi i mangësisë që ka ndodhur në agjërimin e detyruar të Ramazanit, ashtu siç përcillet në hadith: “Gjëja e parë nga veprat që robi do të japë llogari ditën e Kiametit është namazi i tij, nëse atë e ka në rregull fiton dhe shpëton, e nëse atë nuk e ka në rregull dështon dhe humb. Nëse ka diçka mangësi në namazin e detyruar Allahu do t’u thotë melaqeve shikoni se a ka robi Im diçka nga namazet vullnetare dhe me to t’i plotësohen mangësitë e namazeve të detyruara. Pastaj kështu vazhdon llogaritja e veprave të tjera.”[8]
    2. Përcillet për disa dijetarë se agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit e konsideruan të urryer me pretekst se ekziston frika që disa nga myslimanët të mendojnë se ato janë pjesë e Ramazanit.

    Mirëpo më meritor dhe më i drejtë të ndiqet është suneti i vërtetë profetik, dhe nuk braktiset suneti për mendimin e ndokujt, kushdo qoftë ai, dhe arsyetimet e tyre “nuk mund ta kundërshtojnë sunetin e vërtetë dhe ata që e dinë argumentin kanë përparësi të pasohen karshi atyre që nuk e dinë.”[9]

    1. Për ta larguar sa më shpejt përgjegjësinë para Allahut, më mirë është të fillohet me kompensimin e ditëve të humbura të Ramazanit, andaj ai që nuk e ka agjëruar me arsye ndonjë ditë të Ramazanit le të përshpejtojë ta kompensojë dhe ta lajë borxhin e tij. Kompensimit i jepet prioritet para veprave vullnetare nga pikëpamja e përgjithshme.
    2. Kush e dëshiron shpërblimin e cekur në hadith, fillimisht le t’i kompensojë ditët e humbura të Ramazanit, e pastaj le t’i agjërojë gjashtë ditët e Shevalit[10].

    Fjala e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali” dukshëm aludon në atë se fillimisht plotësohet agjërimi i Ramazanit, e pastaj agjërohen gjashtë ditët e Shevalit, “sepse pasimi i agjërimit të Ramazanit me gjashtë ditët e Shevalit, siç ka ardhur në hadith, mund të realizohet vetëm nëse është plotësuar agjërimi i muajit Ramazan.”[11]

    1. Nuk lejohet kompensimi i ditëve të humbura të Ramazanit së bashku me gjashtë ditët e Shevalit me një nijet të përbashkët. Ai që me arsye e ka prishur agjërimin e Ramazanit nuk lejohet që agjërimin vullnetar të gjashtë ditëve dhe kompensimin e ditëve të humbura të Ramazanit t’i agjërojë me një nijet të përbashkët.
    2. Lejohet që gjashtë ditët të agjërohen pa shkëputje apo veç e veç brenda muajit Sheval, sipas mundësive që i ka agjëruesi, nëse i vonon deri në fund të muajit nuk është problem, e në veçanti për atë që i shkojnë mysafirë apo bashkohet për ndejë me të afërmit e tij për Bajram dhe ditët pas. Në këtë çështje ka hapësirë.
    3. Lejohet që agjërimi i ditëve të bardha dhe ditës së hënë dhe të enjte, të agjërohen me një nijet të përbashkët me gjashtë ditët e Shevalit dhe kështu të shpresohet që agjëruesi t’i arrijë të dyja shpërblimet.

    I këtij mendimi është edhe dijetari Abdulaziz ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: “Shpresohet që agjëruesi ta arrijë shpërblimin e dy agjërimeve, sepse atij i llogaritet edhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit po edhe i ditëve të bardha. Mirësia e Allahut është e madhe dhe e gjerë.”

    “Ai që i agjëron gjashtë ditët e Shevalit dhe tri ditët e bardha me një nijet të përbashkët, e merr shpërblimin e dy agjërimeve .”[12]

    1. Nëse agjërimi i gjashtë ditëve bie në ditën e shtunë, agjëruesi lejohet ta agjërojë këtë ditë, sepse ai nuk e veçon ditën e shtunë me agjërim, por e agjëron ngase është pjesë e agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit.
    2. Kujt i ka mbetur Ramazani pa agjëruar dhe kompensimi i tij e përfshin krejt muajin Sheval, sikurse gruaja në periudhën e lehonisë, ajo gjashtë ditët e Shevalit i agjëron në muajin Dhulkade që vjen pas Shevalit, dhe shpërblimi i saj do të jetë sikurse i ka agjëruar në Sheval, sepse vonimi në këtë rast ka qenë me arsye dhe i detyrueshëm[13]. I këtij mendimi është dijetari Ibën Uthejmini dhe Ibën Sa’dij, Allahu i mëshiroftë.[14]
    3. Kujt i kanë mbetur ditë për t’i kompensuar nga Ramazani dhe nuk i agjëron pa asnjë arsye në Sheval, për të nuk ligjërohet që gjashtë ditët e Shevalit t’i kompensojë në Dhulkade dhe nuk e arrin shpërblimin, sepse agjërimi i gjashtë ditëve është sunet dhe me përfundimin e muajit ka ikur koha e vet pa arsye.
    4. Nga besimet e kota dhe jo të drejta është besimi i disave se ai që agjëron gjashtë ditët e Shevalit në ndonjë vit, më pas detyrohet t’i agjërojë për çdo vit që vjen.

    Kjo nuk është e vërtetë, sepse agjërimi i gjashtë ditëve është sunet, kushdo i agjëron dhe për të shpërblehet. Ai që i agjëron gjashtë ditët një herë apo më shumë herë, më pas nuk detyrohet të vazhdojë t’i agjërojë për çdo vit dhe nuk merr mëkat nëse nuk i agjëron.

    1. Disa besojnë se kush fillon me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit është i detyruar t’i plotësojë ato derisa t’i përfundojë dhe nuk arsyetohet nëse i ndërpret apo nuk i agjëron të gjashtat.

    Kjo nuk është e vërtetë sepse në hadith është cekur: “Ai që agjëron vullnetarisht është udhëheqësi i vetes, nëse do agjëron, e nëse do nuk agjëron.”[15]

    Agjëruesi mund ta ndërpresë agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit, me arsye apo pa arsye, dhe nuk detyrohet kompensimi i tyre sipas mendimit më të saktë, por i ik shpërblimi i përmendur në hadith i cili nuk arrihet përveçse me plotësimin e agjërimit të Ramazanit duke e pasuar atë me gjashtë ditët e Shevalit.

    1. Nga risitë që nuk kanë bazë në fe është festimi i ditës së tetë nga Shevali pasi plotësohen gjashtë ditët me agjërim. Këtë ditë dhe festë e quajnë si “dita e punëmirëve.”

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dita e tetë e Shevalit nuk është festë, as e punëmirëve dhe as e punëkëqijve, dhe nuk i lejohet askujt të besojë se kjo ditë është festë dhe të shpikë në të diçka nga ritet e festave.”[16]

    1. Nga risitë është abstenimi nga martesa në muajin Sheval me pretekst parandjenjës së keqe për fatin e martesës. Arabët muajin Sheval e llogaritnin ndjellakeq dhe ogurzi për martesë dhe besonin se gruaja në këtë muaj duhet të abstenojë nga burri i saj, sikurse abstenon femra e devesë kur mbetet me barrë dhe e ngrit bishtin e saj.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e prishi këtë besëtytni të tyre dhe u martua me Aishen, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, në muajin Sheval dhe hyri dhëndër me të në muajin Sheval.[17]

    1. Pëlqehet martesa, të martuarit dhe hyrja dhëndër në muajin Sheval, duke e ndjekur kështu traditën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe duke e kundërshtuar besimin e kotë të periudhës para Islamit që e kishin, të cilët besonin se martesa është ogurzezë dhe ndjellakeqe në Sheval. Besimtari pëlqehet ta ndjekë këtë traditë profetike e në veçanti nëse ky besim i kotë është i përhapur dhe i shpërndarë në shoqëri.

    Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e pëlqente që gratë të martohen me burrat e tyre në muajin Sheval.[18]

    1. Nga bindjet e kota është besimi i disave se kush martohet në mes dy bajrameve, Fitër dhe Kurban Bajramit, njëri nga dy bashkëshortët do të vdesë apo do të vijë deri te ndarja e njëri-tjetrit.

    Ky besim është i kotë dhe nuk ka bazë askund në fe. Është pretendim i njohjes së të ardhmes dhe të fshehtës që nuk e di askush përveç Allahut, dhe është njollosje e imanit në caktimin e Allahut dhe është parandjenjë e keqe e ndaluar dhe ogurzezë.

    Martesa e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me Aishen, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, është argument i qartë dhe kundërshtim i këtij besimi të kotë.

     

    E lusim Allahun që veprën ta pranojë dhe të na ndihmojë që ta përmendim Allahun, ta falënderojmë dhe ta adhurojmë ashtu si është më e mira.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Pjesë e librit Sezonet e adhurimit – i përkthyer në shqip)

     

     

    [1] Muaji Sheval është muaji i dhjetë sipas kalendarit hixhri dhe vjen pas muajit Ramazan. (sh.p.)

    [2] Muajt e haxhit janë muaj Sheval, Dhulkade dhe dhjetë ditët e Dhulhixhes. Muajt e haxhit Allahu i bëri sezonë nga ku fillojnë ritet e haxhillëkut. Allahu tha: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. (El-Bekare: 197.) Shejh Salih el Feuzan, Allahu e ruajttë, thotë: “Të caktuara janë për shkak se njerëzit i njohin prej kohës së Ibrahimit, alejhi selam, dhe Ismailit, alejhi selam, dhe nuk ka nevojë për qartësimin e saj sikur se nevojitet qartësimi i kohës së agjërimit dhe namazit.” (Hutbe me titull: Muajt e Haxhit dhe vlera e tyre – Shejh Feuzan) (sh.p.)

    [3] Itikaf do të thotë qëndrimi në xhami me nijet adhurimi dhe përmendje të Allahut. Është sunet si për burra ashtu edhe për gra dhe itikafi ligjërohet të bëhet gjatë tërë vitit, mirëpo ajo më e pëlqyera është në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Atij që me arsye i ka ikur itikafi në fund të Ramazanit preferohet ta kompensojë në Sheval. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i ndodhi një herë t’i ikë itikafi në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit dhe atë e kompensoi në fillim të Shevalit. (Buhariu dhe Muslimi). (sh.p).

    [4] Arabët muajin Sheval e llogarisnin ndjellakeq dhe ogurzi për martesë, prandaj Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u martua dhe hyri dhëndër në Sheval që t’ua bëjë me dije se ato janë besëtytni dhe nuk kanë të bëjnë me realitet. Pra, nga suneti është martesa në Sheval, e sidomos nëse ato bindje të kota janë të përhapura në shoqëri. (sh.p.)

    [5] Muslimi (1164).

    [6] Imam Ahmedi (22412), Ibën Maxheh (1715), Ibën Huzejme (2115), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [7] Ky shpërblim vjen shkaku se një e mirë shpërblehet me dhjetë, kështu që për një muaj agjërim shpërblehet sikurse me pas agjëruar dhjetë muaj ose sikurse me pas agjëruar diku 295 apo 296 ditë (shkaku se muajt hixhri janë 29 dhe 30 ditë), dhe për gjashtë ditë agjërim të Shevalit shpërblehet sikurse me pas agjëruar dy muaj agjërim ose diku 59 ose 60 ditë (shkaku se muajt hixhri janë 29 dhe 30 ditë). Kjo i bie që për një muaj agjërim të Ramazanit dhe për gjashtë ditë të Shevalit shpërblehet sikurse me pas agjëruar një vit të plotë (hixhri – i cili i ka 355 ditë ose saktësisht 354 ditë e 8 orë e 48 minuta përafërsisht), sepse një e mirë shpërblehet me dhjetë. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kush agjëron muajin e Ramazanit dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali, është njëlloj sikur ka agjëruar tërë vitin.” Muslimi (1164). Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e sqaroi kuptimin e hadithit të lartpërmendur dhe tha: “Kush agjëron muajin e Ramazanit, është sikur ka agjëruar dhjetë muaj, dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pas Fitër Bajramit është sikur ka agjëruar dy muaj. Kështu, plotësohet një vit: “Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish” (El-Enam: 160.)” Imam Ahmedi (22412), Ibën Maxheh (1715), Ibën Huzejme (2115), shejh Albani hadithin e saktësoi. (sh.p.)

    [8] Ebu Davud (864), Et-Tirmidhij (413), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [9] El-Lexhneh Ed-Daimeh (10/390).

    [10] Disa dijetarë e lejojnë që njëherit të agjërohen gjashtë ditët e Shevalit, e pastaj të kompensohen ditët e humbura të Ramazanit, edhe pse normalisht më së mirë është që njëherit të kompensohen ditët e Ramazanit, e pastaj të agjërohen ditët e Shevalit. Tek hanefitë lejohet pa urrejtje, kurse tek malikitë dhe shafiitë edhe pse lejohet po prapë e urrejnë të fillohet njëherit me agjërimin e gjashtë ditëve para kompensimit të Ramazanit, kurse hanbelitë e ndalojnë që të fillohet me gjashtë ditët para kompensimit të Ramazanit. Shih: https://ar.islamway.net/fatwa/3366/ dhe http://fatwa.islamweb.net/fatwa/index.php?page=showfatwa&lang=&Option=FatwaId&Id=3718. (sh.p).

    [11] El-Lexhneh Ed-Daimeh (10/392).

    [12] Ibën Uthejmini.

    [13] Ka mendime të ndryshime për sa i përket kompensimit të gjashtë ditëve të Shevalit në Dhulkade, disa dijetarë e shohin se agjërimi i saj në Dhulkade është njëlloj si në Sheval, disa e shohin se nëse agjërohen në Dhulkade ka shpërblim mirëpo jo si në Sheval, disa e shohin se nëse nuk mund të plotësohet agjërimi në Sheval me arsye  shpresohet për agjëruesin t’i marrë shpërblimet. Dijetari Ibën Baz, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ligjërohet kompensimi i tyre pasi të kalojë Shevali, sepse agjërimi i tyre është sunet dhe koha e saj ka ikur, pavarësisht a i ka lënë me arsye apo pa arsye.” Njashtu tha për atë që i agjëron katër ditë nga ditët e Shevalit dhe nuk i plotëson të gjashtat me arsye: “Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit janë adhurim i preferuar dhe jo i detyruar dhe ti e merr shpërblimin për ato ditë që i agjëron në të dhe shpresohet të marrësh shpërblimin e plotë nëse ka pasur pengesë dhe arsye që të kanë penguar ta plotësosh deri në fund, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kur robi sëmuret apo është udhëtar, atij i shkruhen shpërblimet, sikurse ka qenë vendas dhe i shëndoshë” (Buhariu). Andaj nuk duhet t’i kompensosh ditët që të kanë mbetur. (Mexhmua fetava Ibën Baz, 15/389, 395). Burimi: https://islamqa.info/ar/83292 (sh.p.)

    [14] El-Fetava es-Sa’dijeh (fq. 230), Mexhmua fetava Ibën Uthejmin (20/19).

    [15] Imam Ahmedi (26893), Et-Tirmidhij (732), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [16] El-Ihtijarat el-Ilmije.

    [17] Muslimi (1433).

    [18] Muslimi (1423).