Category: Namazi

  • PREJ LUTJEVE NË RUKU DHE SEXHDE

    PREJ LUTJEVE NË RUKU DHE SEXHDE

    Pozita e rukusë dhe sexhdes janë nga gjendjet më të mëdha ku shfaqet ubudija (të qenët rob i Allahut). Për këtë shkak, pëlqehet të zgjatet qëndrimi në ruku dhe sexhde në namazin e natës. Prej lutjeve që thuhen në to:

    – “Subhane dhil Xheberuti vel Melekuti vel Kibrija vel Adhame”
    (I Lavdëruar qoftë i Plotfuqishmi, të Cilit i takon Pushteti mbi çdo gjë, Atij i takon Lavdia dhe Madhështia).

    Fjala “El-Xheberut” (i Plotfuqishmi); nënkupton se mbizotërimi dhe ngadhënjimi i plotë i takon veç Allahut.

    Fjala “El-Melekut” (të Cilit i takon Pushteti mbi çdo gjë); nënkupton që Atij i takon sundimi i përgjithshëm, i jashtëm dhe i brendshëm.

    – “Subhaneke Allahumme Rabbena ve bihamdike, Allahumme-gfir li”
    (I Lavdëruar qofsh, o Allah, Zoti ynë, Ty të takon falënderimi! O Allah, më fal mua!)

    – Subbuhun kuddusun rabul melaiketi verruh”
    (I Dëlirë nga çdo mangësi, i Shenjtë, Zoti i melekëve dhe i Xhibrilit).”

    “Subbuhun kuddusun” (I Dëlirë nga çdo mangësi, i Shenjtë)”; do të thotë i dëlirë nga mangësitë, ortakëria dhe çdo gjë që nuk i përket hyjnisë.
    “ver-ruh (i Xhibrilit)”; fjala er-Ruh që ka ardhur në hadith e ka për qëllim Xhibrilin (dhe u veçua me përmendje karshi melekëve të tjerë në shenjë respekti dhe nderi).

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • NAMAZI NË KURAN (HUTBE)

    NAMAZI NË KURAN (HUTBE)

    Namazi është përmendur në Kuran mbi gjashtëdhjetë herë. Normalisht se urdhri për namaz “faleni namazin!” nuk ka ardhur vetëm kështu si urdhër, porse sigurisht se ky urdhër ka diç para edhe diç pas. Pra, urdhri për faljen e namazit ka një kontekst të caktuar. Urdhri par ta falur namazin ka një lidhje me ndonjë këshillë, me ndonjë urdhër tjetër, me ndonjë dispozitë tjetër…

    Këto minuta do të mundohem t’i sjelli disa ajete kur përmendet namazi, dhe të shohim se në çfarë konteksti ka ardhur përmendja e namazit. E përmenda se ajetet ku përmendet namazi janë mbi gjashtëdhjetë ajete, për këtë edhe nuk mund t’i përmendim të gjitha, këto ajete, porse vetëm disa prej tyre.

    Në fillim të sures Bekare, pra menjëherë pas sures Fatiha, në faqen e dytë të Kuranit, Allahu thotë:

    ﴿الٓمٓ١ ذَٰلِكَ ٱلۡكِتَٰبُ لَا رَيۡبَۛ فِيهِۛ هُدٗى لِّلۡمُتَّقِينَ٢ ٱلَّذِينَ يُؤۡمِنُونَ بِٱلۡغَيۡبِ وَيُقِيمُونَ ٱلصَّلَوٰةَ وَمِمَّا رَزَقۡنَٰهُمۡ يُنفِقُونَ٣﴾

     

    “Elif, Lam, Mim. Ky është libri në të cilin nuk ka dyshim, udhëzues për të devotshmit. Të cilët e besojnë të fshehtën, e falin namazin dhe prej asaj që Ne i kemi furnizuar, japin.” (Bekare, 1-3)

    Ky ajet po na i përmend cilësitë e besimtarëve, cilësitë e të devotshmëve. Shikojeni këtë trekëndësh: Besojnë në ‘gajb’ pra në të fshehtën; në Allahun, në melekët, në Xhenet e në Xhehenem etj., falen dhe japin.

    Ky ajet po na e përmend namazin në këtë kontekst, besim, falje dhe sadaka.

    Pastaj fundi i ajetit të pestë, na e tregon rezultatin e atyre që e plotësojnë këtë trekëndësh. Allahu thotë:

    ﴿ وَأُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلۡمُفۡلِحُونَ٥﴾

    “… dhe të tillët janë të shpëtuarit.” (Bekare, 5)

    Kështu, ata që falen e plotësojnë trekëndëshin dhe bëhen prej të shpëtuarve, ndërsa ata që nuk falen, e lënë të zbrazur këtë trekëndësh, dhe këta nuk i përfshinë ajeti se do të jenë të shpëtuar.

    Prej ajeteve tjera që është përmendur namazi është ajeti i sures Taha, ku Allahu thotë:

    ﴿وَأۡمُرۡ أَهۡلَكَ بِٱلصَّلَوٰةِ وَٱصۡطَبِرۡ عَلَيۡهَاۖ لَا نَسۡ‍َٔلُكَ رِزۡقٗاۖ نَّحۡنُ نَرۡزُقُكَۗ ١٣٢﴾

     

    “Urdhëroje familjen tënde ta falin namazin dhe insisto në këtë! Ne nuk kërkojmë prej teje furnizim. Ne ty do të furnizojmë!

    Së pari, në këtë ajet po e shohim se e kemi një lidhje mes namazit dhe furnizimit. Pra falu dhe urdhëroji familjarët të falen se Ne ju furnizojmë juve.

    Pastaj fjala arabe “vastabir” bë shumë sabër, insisto në vazhdimësi. Fjala “vasbir” do të thotë: duro!, porse “vastabir” do të thotë më shumë se durim, pra duro dhe insisto në vazhdimësi.

    Ne e dimë se Pejgamberi ﷺ  na ka urdhëruar që t’ua mësojmë fëmijëve tanë namazin, prej moshës shtatë vjeçare. Kështu ne duhet t’i kapim për dore, t’ua mësojmë abdesin e namazin, t’i dërgojmë në xhami te hoxha, t’i presim për namaz për t’u falur me ne, e t’u blejmë libra islam.

    Askush mos të thotë: qe njëqind herë i kam thënë, tash e kam lënë!

    Jo. Allahu nuk po thotë thuaj njëqind herë, por urdhëroji ata edhe më shumë se njëqind herë, mos u dorëzo, por duro shumë.

    Përse sot, ka disa që fillojnë të falen në moshë të shtyrë, porse lutjet apo suret e Kuranit, i dinë qysh prej fëmijërisë, sepse babai apo gjyshi i tij ka bërë shumë durim për t’ia mësuar atij, dhe tash ky ende i kujtohen ato lutje dhe ato sure.

    Ndërsa ne sot këtë “vastabir” që me bo shumë durim e gjejmë në çështjet tjera. Sa e britmën ua bëjmë nëse nuk i kryejnë detyrat shkollore. Nëse djali ynë është i moshës njëzet vjeçare, nuk i lëmë vend duke i folur, e duke e munduar, që të punojë diç e mos të rrijë kot. Këto të gjitha janë në rregull. Duhet të kujdesemi për ta e t’i edukojmë, porse ne këtë durim të madh, këtë insistim nuk e kemi për namaz. Ende nuk e kemi vendosur namazin në rend të parë në listë. Puna e mësimi janë shumë të rëndësishme për fëmijët tanë, porse namazi duhet të jetë edhe më i rëndësishëm për ne. Për këtë edhe duhet të insistojmë për t’i edukuar në namaz.

    Shikojeni kontekstin e ajetit në të cilin është ndaluar alkooli apo rakia.

    Sikur të na pyes dikush: përse rakia është e ndaluar? Ne i themi: sepse është pije dehëse. Është shumë e dëmshme për njeriun e për shoqërinë. Rakia shkakton dhunë në familje etj.

    Këto të gjitha janë në rregull, porse Allahu po na e tregon një prej shkaqeve kryesore përse rakia është haram. Allahu tregon se shejtani përmes rakisë:

    ﴿ وَيَصُدَّكُمۡ عَن ذِكۡرِ ٱللَّهِ وَعَنِ ٱلصَّلَوٰةِۖ ٩١﴾

    “… t’ju largojë nga përmendja e Allahut dhe falja e namazit…”

    Pra, rakia na largon prej namazit. Na privon prej namazit.

    Këto dyja: namazi dhe rakia nuk shkojnë bashkë. Ose njëra ose tjetra.

    Po ashtu narkotikët, e kanë të njëjtën dispozitë.

    Nëse duam ta lëmë narkotikun, duhet të falemi. Sepse namazi e përzë narkotikun.

    Namazi është përmendur te këshilla e Lukmanit ﷺ  drejtuar të birit të vet.

    Allahu na i tregon këto këshilla në suren Lukman. Këshilla e parë është: Mos i bëjë Allahut shirk apo ortak.

    E dyta: t’i respektojë prindërit. E treta: ta ketë parasysh se Allahu e përcjellë atë, e sheh dhe e di se çfarë vepron njeriu. Pastaj këshilla e katërt është:

    ﴿يَٰبُنَيَّ أَقِمِ ٱلصَّلَوٰةَ ١٧﴾

    “O biri im, fale namazin!” (Lukman, 17)

    Ne e dimë o vëllezër se babai, ka dëshirë që t’i dhurojë shumë fëmijës së vet. Ka dëshirë që të shkollohet në shkollën më të mirë, të punojë në punë të mirë. Ta mjekojë në spitalin më të mirë, në rast të sëmundjes. Thjeshtë fëmijën e do më shumë se veten.

    Në këto ajete të aurës Lukman, po e shohim se babai po ia dëshiron të mirën djalit të vet. Po dëshiron që ta shpëtojë në Ahiret. Po dëshirën që të jenë se bashku në Xhenet. Për këtë edhe po i thotë: “Falu!” që të hysh në Xhenet, e të mbrohesh prej Xhehenemi.

    Po ashtu edhe Ibrahimi ﷺ , sikurse të gjithë Pejgamberët e tjerë, i kushtonte rëndësi namazit. Allahu na tregon për këtë burrë të madh, për këtë Pejgamber të dalluar me shumë virtyte të larta se është lutur me këtë lutje:

    ﴿رَبِّ ٱجۡعَلۡنِي مُقِيمَ ٱلصَّلَوٰةِ وَمِن ذُرِّيَّتِيۚ رَبَّنَا وَتَقَبَّلۡ دُعَآءِ٤٠﴾

    “O Zoti im! Më bëj mua nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mi.” (Ibrahim, 40)

    Po duhet ta lusim Allahun që ta na e mundësojë të falemi, kështu është lutur Ibrahimi ﷺ , e po ashtu Muhamedi ﷺ  na ka mësuar që në fund të namazit, para se të japim selam nga namazi, të lutemi me këtë lutje:

    الَّلهُمَّ أَعِنِّي عَلَى ذِكرِك وشُكرِك وحُسْن عِبادَتِك

    “O Allah, më ndihmo të të përmendi, të të falënderojë dhe të të adhurojë në formën më të mirë.”

    Vëllezër, ne të gjithë jemi pastruar apo kemi marrë abdes për të ardhur këtu në xhami.

    Secili prej neve, e ka një nënë, apo një grua, apo një motër në shtëpi, a thua, a kanë marrë abdes ato?!

    Ne i jem përgjigjur thirrjes:

    حي على الصلاة

    Ejani në namaz.

    Gratë nuk e kanë obligim t’i përgjigjen thirrjes ejani në namaz, por e kanë obligim t’i përgjigjen thirrjes “ejani në shpëtim!”

    حي عبى الفلاح

    A janë duke u falur ato? A janë duke shpëtuar ato?

    Ibrahimi ﷺ  e kishte këtë brengë. Lutej edhe për familjen dhe pasardhësit e tij që të falen.

    Të shikojmë edhe Musain ﷺ . Ajetet e para, urdhrat e parë që i erdhën Musait ﷺ , menjëherë posa i zbriti shpallja janë këto:

    ﴿إِنَّنِيٓ أَنَا ٱللَّهُ لَآ إِلَٰهَ إِلَّآ أَنَا۠ فَٱعۡبُدۡنِي وَأَقِمِ ٱلصَّلَوٰةَ لِذِكۡرِيٓ١٤﴾

    “Vërtet, vetëm Unë jam Allahu, nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet pos Meje, pra Mua më adhuro dhe fale namazin për të më kujtuar Mua.” (Taha, 14)

    E the shahadetin?

    Po.

    Atëherë falu.

    Ende pa shkuar te faraoni. Ende pa i ua lexuar Tevratin popullit, ende pa u treguar se t’i je i dërguar o Musa, falu o Musa, falu!

     

    Hutbeja e dytë:

    Në suren Maun, Allahu na i tregon cilësitë e atyre që nuk e besojnë ditën e Kiametit, dhe këta janë që nuk interesohen as për jetimin, madje lëre që nuk japin sadaka, por as që i nxisin të tjetër për të dhënë, e pastaj thotë Allahu:

    ﴿فَوَيۡلٞ لِّلۡمُصَلِّينَ٤ ٱلَّذِينَ هُمۡ عَن صَلَاتِهِمۡ سَاهُونَ٥﴾

    “Mjerë për ata që falen. E që ndaj namazit janë të shkujdesur.” (Maun, 4,5)

    Shkujdesa këtu ka të bëjë me lënien e namazit të kalojë koha e vet. Pra, vjen koha e drekës, e pastaj e ikindisë, e pastaj e akshamit dhe ky nuk mërzitet fare, për të tillët Allahu po thotë: Mjerë për ta.

    Pastaj shikojini edhe këto dy ajete të sures Mudethir:

    ﴿مَا سَلَكَكُمۡ فِي سَقَرَ٤٢ قَالُواْ لَمۡ نَكُ مِنَ ٱلۡمُصَلِّينَ٤٣﴾

    “Çka u solli juve në Sekar (Xhehenem)? Ata thonë: Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin.” (Mudethir 42,43).

    Pra, përgjigjja e parë e tyre në Xhehenem është se nuk kanë falur namaz.

    Kështu të gjitha këto ajete që i përmendëm e edhe ajetet dhe hadithet e shumta që nuk i kemi përmendur na tregojnë se çelësi i Xhenetit është namazi, kurse çelësi i Xhehenemit është mos falja e namazit.

    Namazi është shëndet, namazi është qetësi në shpirt dhe qetësi në shtëpi, namazi është furnizim, namazi është dritë në dynja, dritë na varrë e dritë në ahiret. Prandaj edhe nuk ka vend për përtaci e për dembeli këtu fare.

    Përgatiti: Mr. Flamur KABASHI

  • FËMIJËT TANË DHE NAMAZI

    FËMIJËT TANË DHE NAMAZI

    Fëmijët janë bukuria dhe shkëlqimi i kësaj bote, ndërsa ecja e tyre në rrugë të drejtë është dritë dhe kënaqësi e vërtet për sytë e prindërve.

    Për të qarë është gjendja në xhamitë tona të cilat janë boshe pa prezencën e të rinjve. Të rralla janë ato xhami ku përveç pleqve falen edhe të rinj. Kjo, pasha Allahun, nuk është mirë për neve dhe tregon se ka devijime në edukatë fetare dhe se kjo është dobësi e prin­dërve. Nëse nuk falen sot, kur do të falen ata të rinj në xhemat me muslimanët!?

    Pasi që mëkati më i madh dhe përgjegjësia më e madhe bie mbi prindërit, atëherë së pari e rikujtoj veten e pastaj të gjithë për­gje­gjësit e familjeve të cilët e morën mbi supe amanetin, me fjalët e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem: “Çdonjëri prej jush është bari (kujdestar) dhe çdonjëri është përgjegjës për kopenë e tij. Burri është bari për shtëpinë e tij dhe përgjegjës për kopenë e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe përgjegjëse për kopenë e saj.”

    Allahu, azze ue xhel, na njofton në Kur’an dhe thotë: O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundër­shtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.  (Et-Tahrim: 6)

    Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut. Taha: 132)

    Në një hadith të qartë të cilin na e rrëfen i Dërguari i këtij Umeti Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, i porosit të gjithë prindërit: “Urdhërojini fëmijët tuaj që të falin namazin në moshën shtatë vjeçare dhe qëllojini (rrihni) që të falen kur të mbushin dhjetë vjeç dhe ndajini nga njëri-tjetri në shtrat.”

    Prej këtij udhëzimi profetik dhe fisnik mësojmë se edukimi i fëmijës për namaz duhet të jetë shkallë-shkallë dhe serioz. Fëmija thirret në moshën shtatë vjeçare ta fal namazin, mirëpo nuk rrihet vetëm se atëherë kur i mbush dhjetë të plota. Periudha tre vjeçare duhet të jetë e mjaftueshme që t’i ngulitet në zemër dashuria ndaj namazit dhe brenda kësaj periu­dhe ai thërritet mbi pesëmijë herë për faljen e namazit! Ai që i përgjigjet kësaj thirrjeje vazhdimisht brenda tri viteve, a ka nevojë që ta rrahësh pas pesëmijë namazeve!? Të paktë janë ata prindër që e praktikojnë porosinë profetike dhe kanë nevojë për edukim pasi t’i mbushë fëmija i tij dhjetë vjet. Numri i shumtë i namazeve dhe shkuarja e tij e shpeshtë në xhami brenda këtyre viteve, do të jenë shkak për bërjen e namazit pjesë të programit ditor të tij.

    Sot shumica e njerëzve i rrahin fëmijët e tyre për çështje të kota dhe banale të cilat nuk e arrijnë në vlerë gradën e namazit. Kush e mendon gjendjen e namazit të sabahut dhe sa prej fëmijëve dhe të rinjve prezantojnë në faljen e tij, do të mërzitet për gjendjen e Umetin të Islamit!

    Ku janë prindërit të cilët janë të detyruar t’i zgjojnë fëmijët e tyre?

    Abdullah ibën Abasi, radijallahu anhu, na rrëfen se kishte shkuar te tezja e tij Mejmuneh, radijallahu anha, dhe pasi që u errësua erdhi i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i pyeti: “A u fal djaloshi?” – I thanë: “ Po, o i Dërguar i Allahut u fal.”

    Ibën Omeri, radijallahu anhu, thonte: “Fëmijës i mësohet namazi atëherë kur e dallon të djathtën e tij prej të majtës.”

    Të parët tanë i vështronin me vëmendje fëmijët e tyre se a e falnin namazin dhe i pyesnin rreth saj.

    Nga Aisha, radijallahu anha, na përcillet të ketë thënë: “Sahabët i merrnin fëmijët e tyre në xhami, që të falen me ta. Njëkohësisht u jepnin ushqime të shijshme vetëm e vetëm që t’i inkurajojnë ata të vijnë në xhami e të falen me ta.

    Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë, na njofton se njëri prej sahabëve e kishte pyetur birin e tij: “A u fale me ne? A e arrite tekbirin fillestar? – Ju përgjigj: “Jo” -Atëherë i tha: “Biri im je privuar prej një mirësie të madhe sa njëqind deve të gjitha syzezë.”

    Prindër!

    Mos lejoni që nesër të dalin prej duarve të juaja fëmijë që nuk falen dhe të bëheni mëkatar për nxjerrjen e tij në këtë Ummet si jobesimtar prej prin­dërve musliman edhe atë me pakujdesi dhe mëshirë përmbysëse.

    I frikoheni ftohtit dhe nuk e zgjoni prej gjumi për namazin e sabahut, i frikoheni nxehtit dhe nuk e lejoni të shkon në namazin e ikindisë! Allahu, azze ue xhel, thotë: Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!” Veç sikur të kuptonin!”(Et-Teube: 81)

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush e neglizhon edukimin e fëmijës së tij atë çka i bën dobi, vetëm se i ka bërë padrejtësi. Shumica e fëmijëve kanë devijuar në besim dhe moral, si rezultat i neglizhencës së prindërve për t’ua mësuar atyre fenë dhe rregullat e saj. Prandaj, i humbën dhe i shkatërruan kur ishin të vegjël, dhe kështu si bënë dobi as vetes së tyre e as prindërve kur u rritën të mëdhenj.”

    Prindër!

    Kujdesia për faljen e fëmijëve në xhami ka shumë dobi, prej saj:

    – Largimi i përgjegjësisë para Allahut, azze ue xhel, dhe mbrojtja prej mëkatit pas ngulitjes së dashurisë ndaj namazit dhe urdhrit për faljen e tij.

    Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush është përgjegjës i fëmijës apo jetimit apo robit dhe nuk e urdhëron në faljen e namazit, atëherë përgjegjësi dënohet dhe i tërhiqet vërejtje me rrahje të rëndë për shkak se i ka bërë mëkat Allahut dhe Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem.”

    – Shpresa për shpërblim për atë që e vepron fëmija i tij.

    Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Kush thërret në udhëzim, ai do të ketë shpërblimin e tij dhe shpërblimin e atyre që do e veprojnë pas tij, duke mos e pakësuar aspak shpërblimin e tyre.”

    – Ndjenja se i biri është nën mbrojtjen dhe kujdesin e Allahut, azze ue xhel, tërë ditën.

    Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Kush e fal namazin e sabahut me xhemat është nën mbrojtjen e Allahut.”

    – Largimi i fëmijës kur të rritet prej rrethit të jobesimtarëve dhe munafikëve.

    Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: Marrëveshja mes nesh dhe atyre është namazi, kush e le atë vetëm se ka bërë kufër.”

    Nuk ka namaz më të vështirë për munafikët se namazi i sabahut dhe jacisë. Po ta dinin se çfarë vlere dhe të mirash ka në to, do të vinin po qe nevoja edhe duke u zvarritur.”

    – Rritja e fëmijës në mirësi dhe në rrugë të drejtë që të bëhet thesar për të dy prindërit pas vdekjes së tyre.

    Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, mirësinë dhe drejtësinë e fëmijës e bëri kusht për t’i bërë dobi prindërve: Kur njeriu vdes, atij i ndërpritet puna, përveç tre gjërave: Lëmosha e vazhdueshme, dija nga e cila përfitohet pas tij, apo fëmija i mirë që lutet për të.”

    Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet! (Ibrahim: 40)

    – Këto janë disa shkaqe të cilat ndihmojnë që fëmija yt ta fal namazin:

    1. Së pari ti, o prind, duhet të jesh shëmbëlltyrë për fëmijën tënd duke qenë prej atyre që e falin namazin dhe kujdesen për të. Fëmija kur t’i mbush të shtatat dhe fillon t’i dallon gjërat merre me vete në xhami për faljen e namazit, se fëmija rritet ashtu si e mëson prindi i tij.
    2. Jepi përparësi çështjeve të ahiretit para atyre të dunjasë dhe ngulite këtë besim në mendjen dhe zemrën e fëmijës tënd. Mos të bëhen provimet shkollore më të rëndësishme se falja e namazit dhe mos të bëhet përsëritja për në shkollë më e rëndësishme se shkuarja në xhami. Nuk është krenari që fëmija yt të bëhet njeri me pozitë dhe me famë ndërsa ai është prej munafikëve ose jobesimtarëve që nuk prezantojnë në faljen e namazit. Mjafton të jesh krenar kur e di se i biri ushqehet prej asaj çka e fiton dora e tij dhe ai e fal namazin, kurse bashkimi i dy çështjeve pa dyshim se është më e mira.
    3. Bëhu durimtar dhe këmbëngulës se kjo çështje është e rëndë dhe lodhëse: Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! (Taha: 132), dhe përgëzohu se fundi është i ëmbël: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (El-Ankebut: 69)
    4. Lexoja dhe mësoja fëmijës tënd hadithet që flasin mbi namazin. Sqaroja dispozitat e sheriatit për atë që nuk e fal namazin dhe çfarë dënimi e pret në dunja dhe ahiret. Tregoi se ai që e fal dhe kujdeset për të është prej atyre që Allahu i do dhe i mbron dhe shpërblimi i tij është xheneti. Mos i thuaj se ti je ende i vogël dhe se ka kohë për ty kur do të falesh, por mësoja formën e faljes, dispozitat e saj dhe dobitë e saj se ajo i ndihmon në formimin e personalitet.
    5. Nxitni ata me shpërblime dhe dhurata të ndryshme për çdo namaz që e falin. Më kujtohet një prind i cili fëmijëve të tij për çdo namaz të sabahut të cilin e falnin në xhami u dhuronte të holla dhe si fryt i kësaj metode njëri prej fëmijëve iu bë një prej dije­tarëve më të mëdhenj. Po ashtu më kujtohet një plakë e cila dilte me birin e saj në namazin e sabahut çdo ditë, dhe Allahu e fisnikëroi plakën me birin e saj dhe ia bëri prej hafizëve të Kur’anit dhe një prej imamëve të njohur dhe e bëri njeriun që më së shumti e respekton nënën e tij.

    Abdullah ibën Mesudi, radijallahu anhu, thonte: “Kujdesuni që fëmijëve mos t’u ikë koha e namazit. Pastaj bëjani atyre shprehi të mirën, sepse e mira duhet të bëhet traditë.”

    1. Lutu për fëmijën tënd në çdo kohë dhe tento që ndonjëherë ai t’i dëgjon lutjet e tua për namaz dhe udhëzim dhe begati. Prej lutjeve të profetëve dhe njerëzve të mirë ishte lutja: Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet! (Ibrahim: 40)
    2. Shoqëro fëmijën tënd me njerëz të mirë besimtarë që e lexojnë Kur’anin dhe e falin namazin me xhemat.
    3. Mendo çdo herë kur dëshiron të blesh shtëpi që ajo të jetë afër xhamisë se ajo të ndihmon shumë në nënshtrim ndaj Allahut, dhe posaçërisht i ndihmon fëmijës tënd në faljen e namazit.
    4. Mendo ndonjëherë se fëmija yt të cilin e do mund të bëhet lëndë djegëse në rast se nuk falet: O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. (Et-Tahrim: 6)
    5. Bëhu serioz dhe këmbëngulës në urdhërimin e tyre për faljen e namazit. Kujdesu që t’i zgjosh prej gjumi në namazin e sabahut dhe merri të gjitha sebepet e mundshme, se fëmija kur e sheh se prindi ka seriozitet në këtë çështje atëherë edhe ai do ta merr çështjen me seriozitet. Bashkëpuno me imamin e xhamisë që ta nxit fëmijën tënd dhe të tjerëve në faljen e namazit dhe t’i përcjell ata se a prezantojnë rregullisht në xhami.

    O ju prindër muslimanë, kjo rrugë është e rëndë dhe lodhshme, por më e lodhshme dhe më e mërzitshme është kur ta shohësh fëmijën tënd të devijuar, me alkool dhe me drogë në duart e tij, prandaj lufto se mundi ytt në fund do të shpërblehet: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (El-Ankebut: 69)

    E lus Allahun, azze ue xhel, që t’i përmirësojë dhe drejtojë familjet dhe pasardhësit tanë dhe t’i bëjë kënaqësi dhe drita e syve të prindërve.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • SEXHDJA E HARRESËS (SEVI SEXHDJA) – RREGULLA DHE DISPOZITA

    SEXHDJA E HARRESËS (SEVI SEXHDJA) – RREGULLA DHE DISPOZITA

    1. Njeriu mundohet që t’i kryejë ibadetet të plota, por ndodh nganjëherë që të gabojë ose të ketë mangësi gjatë kryerjes së ibadetit. Për këtë arsye Allahu për robërit e Tij e ligjëroi kompensimin e këtyre mangësive, me ibadete vullnetare, me istigfar (kërkimfalje), ose me shpagim. Kjo është nga mëshira e Allahut për robërit e Tij dhe nga bukuritë e fesë sonë të plotë.
    2. Njeriu harron dhe është i pakujdesshëm, kjo është në tabiatin e tij. Në anën tjetër, falja e namazit është pozita më e lartë e qëndrimit të robit para Allahut, prandaj edhe shejtani kujdeset që t’ia prishë atë, duke e futur në mendime për çështjet e dynjasë, ose e bën që ta shtojë një rekat, ose ta pakësojë një rekat, ose e fut në dyshim se sa rekate i ka falur, ose i bën vesvese. Për mangësinë që mund të ndodhë në namaz si shkak i harresës ose gabimit, Allahu për namazfalësin e ligjëroi sexhden e harresës që ta plotësojë atë mangësi.

    Sexhdja e harresës bëhet në raste dhe situata të veçanta, ngase jo çdo harresë, gabim dhe mangësi e detyron sexhden e harresës, për ta poshtëruar shejtanin, për ta kompensuar mangësinë në namaz dhe për ta kënaqur Allahun.

    1. Harresa e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në namazin e tij është “nga plotësimi i begatisë së Allahut për umetin e tij dhe plotësim i fesë së tyre, që ta ndjekin Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në atë që ai ua ligjëron kur ata të harrojnë në namaz. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, harronte sikur të gjithë njerëzit dhe për harresën e tij vendoseshin dispozita që ato duhet të zbatohen kur të harrojë umeti i tij deri në Ditën e Kiametit.”[1]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Unë jam njeri sikur ju, harroj sikur ju që harroni, e kur ndonjëri prej juve harron, le t’i bëjë dy sexhde (harrese).”[2]

    1. Sexhdja e harresës; janë dy sexhde që i bën namazfalësi në fund të namazit, para ose pasi të japë selam, që ta kompensojë mangësinë që ka ndodhur në namaz, në raste dhe situata të veçanta.
    2. Sexhdja e harresës ligjërohet kur namazfalësi harron ose gabon pa qëllim, në raste specifike, ndërsa nëse gabimi bëhet me qëllim, atëherë nuk ligjërohet sexhdja e harresës.
    3. Sexhdja e harresës, sipas mendimit më të saktë, është detyrim kur namazfalësi harron, shton ose pakëson në namaz.

    Kjo është sikur kur namazfalësi e harron një rekat, ose e lë një detyrim të namazit si teshehudi i parë, ose e shton një rekat, ruku apo sexhde, e të ngjashme me to.

    1. Shkaqet e sexhdes së harresës janë tri: kur namazfalësi shton në namaz, kur pakëson prej namazit, ose kur dyshon që ka shtuar apo mangësuar në namaz.
    2. Kush shton me qëllim në namaz një rekat, një ulje, një ruku, ose një sexhde, namazi i tij prishet (dhe nuk përmirësohet me sexhden e harresës sh.p.).
    3. Namazfalësi që shton nga harresa në namazin e tij:

    – Nëse nuk i kujtohet që ka shtuar në namaz përveçse në fund të namazit, atij i takon t’i bëjë dy sexhdet e harresës dhe namazi i tij është i saktë.

    Ilustrim me shembuj:

    Namazfalësi në namazin e drekës i fal pesë rekate, nuk i kujtohet që e ka shtuar një rekat, vetëm pasi që ulet në teshehudin e fundit. Në këtë rast, ai duhet ta plotësojë teshehudin dhe t’i bëjë dy sexhde të harresës pasi të japë selam.

    Ose, namazfalësi gabon dhe i bën tri sexhde, atij i kujtohet që e ka shtuar një sexhde pasi që ngrihet nga sexhdja; në këtë rast ai e vazhdon namazin e tij dhe e bën sexhden e harresës pasi të japë selam.

    – Nëse shton në namaz dhe i kujtohet duke u falur, ai detyrohet ta bëjë sexhden e harresës. Namazi i tij në këtë rast është i saktë.

    Ilustrim me shembull:

    Namazfalësi harron dhe ngrihet për në rekatin e pestë, duke u falur i kujtohet që është në rekatin e pestë; në këtë rast ai detyrohet të kthehet menjëherë, të ulet në teshehud dhe pasi të japë selam, ta bëjë sexhden e harresës.

    – Nëse shton në namaz dhe i kujtohet që ka shtuar pasi ta përfundojë namazin; nëse kohëzgjatja është e shkurtër, atëherë e bën sexhden e harresës ndërsa, nëse i kujtohet pasi të kalojë një kohë më e gjatë, nuk duhet të bëjë gjë dhe namazi i tij është në rregull.

    Ilustrim me shembull:

    Namazfalësi në namazin e drekës gabon dhe e shton një rekat, drekën e fal pesë rekate; atij kjo nuk i është kujtuar vetëm pasi që e ka përfunduar namazin.

    1. Namazfalësi i cili me qëllim jep selam para se të përfundojë namazi, namazi i tij prishet.

    Nëse nga harresa jep selam para se të përfundojë namazi, dhe kjo i kujtohet pas një kohe më të gjatë, ai e përsërit namazin e tij.

    Ndërsa, nëse i kujtohet pas një kohë të shkurtër, pas dy ose tre minutave, ai e plotëson namazin e tij dhe jep selam, pastaj e bën sexhden e harresës dhe sërish jep selam.

    1. Nëse imami jep selam para se ta përfundojë namazin, ndërsa disave nga xhemati që falen pas tij u ka ikur ndonjë rekat dhe (pasi që imami jep selam) ata ngrihen që ta plotësojnë atë që u ka ikur, pastaj imamit i kujtohet që ka dhënë selam gabim dhe ngrihet ta plotësojë namazin; në këtë rast, xhemati mund të zgjedhë, të vazhdojë që ta plotësojë atë që i ka ikur dhe pastaj të bëjë sexhden e harresës, apo të kthehet që ta vazhdojë namazin me imamin, dhe pasi që imami të japë selam, ata të ngrihen që ta plotësojnë atë që u ka ikur dhe pas selamit ta bëjnë sexhden e harresës. Kjo e fundit është më e mirë dhe më e sigurt.
    2. Kur namazfalësi të pakësojë një shtyllë të namazit;

    – Nëse është tekbiri fillestar, atëherë nuk ka namaz, pavarësisht a e braktis me qëllim apo pa qëllim, sepse ai në esencë nuk ka hyrë në namaz dhe namazi i tij nuk ka filluar.

    – Nëse është ndonjë shtyllë tjetër jashtë tekbirit fillestar dhe atë e braktis me qëllim, namazi i tij prishet.

    1. Kur namazfalësi nga harresa e braktis një shtyllë nga shtyllat e namazit:

    – Nëse namazfalësi arrin në rekatin e dytë tek ajo pjesë (te shtylla) që e ka braktisur në rekatin e parë, në këtë rast, rekati që në të e harroi shtyllën konsiderohet i pavlefshëm dhe vendin e tij e merr rekati që vjen pas tij.

    – Nëse namazfalësi nuk arrin në rekatin e dytë tek ajo pjesë (te shtylla) që e ka braktisur në rekatin e parë, ai detyrohet të kthehet te shtylla e braktisur, ta plotësojë atë dhe të vazhdojë me pjesën tjetër të namazit. Kështu forma dhe renditja e namazit do të jenë në rregull.

    Në të dy rastet namazfalësi detyrohet ta bëjë sexhden e harresës pasi të japë selam.

    Ta ilustrojmë me shembuj:

    – Namazfalësi harron ta bëjë sexhden e dytë në rekatin e parë, kjo atij i kujtohet në uljen në mes dy sexhdeve në rekatin e dytë; në këtë rast rekati i parë konsiderohet i pavlefshëm dhe vendin e tij e merr rekati i dytë, i cili për namazfalësin tashmë llogaritet rekat i parë. Pastaj ai e plotëson namazin dhe në fund jep selam, pasi të japë selam e bën sexhden e harresës dhe prapë jep selam.

    – Namazfalësi në rekatin e parë e bën vetëm një sexhde dhe harron të ulet në mes dy sexhdeve, ai pasi që e bën një sexhde, ngrihet për në rekatin e dytë. Gabimi i kujtohet pasi të ngrihet nga rukuja në rekatin e dytë; e në këtë rast, ai duhet të kthehet dhe të ulet në mes dy sexhdeve, e bën sexhden e dytë, kështu e plotëson rekatin e parë dhe ngrihet për në rekatin e dytë dhe e plotëson namazin. Në fund e bën sexhden e harresës pasi të japë selam.

    1. Namazfalësi i cili nga harresa e ka lënë një shtyllë të namazit, nëse atij i kujtohet pas një kohë të shkurtër, pasi që e ka përfunduar namazin:

    – Nëse shtylla e lënë është nga rekati i fundit (p.sh. rukuja e rekatit të fundit), ai kthehet tek ajo pjesë që e ka harruar, e plotëson pjesën tjetër që ka mbetur nga namazi, në fund jep selam dhe pasi që jep selam, e bën sexhden e harresës.

    – Nëse shtylla e lënë nuk është nga rekati i fundit, por i ndonjë rekati të tjetër (p.sh. sexhdja e rekatit të tretë të namazit të drekës), namazfalësi duhet të vijë me një rekat të plotë dhe, pasi të japë selam, ta bëjë sexhden e harresës.

    1. Namazfalësit, nëse i kujtohet që e ka harruar ndonjë shtyllë pas një kohe më të gjatë pasi ka dalë prej namazit, ai duhet ta përsërisë namazin e tij. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.

    Disa të tjerë thanë që namazfalësi duhet të vijë me atë pjesë që e ka harruar nga namazi i tij, edhe nëse ka kaluar një kohë e gjatë. Ky është mendimi të cilin e ka zgjedhur Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë.[3]

    1. Namazfalësi, nëse e lë me qëllim një detyrim nga detyrimet e namazit (p.sh. teshehudin e parë), namazi i tij nuk është i saktë.

    Ndërsa, nëse e lë një detyrim me harresë:

    – Dhe i kujtohet para se të largohet nga ai vend në namaz, vjen me të (me atë detyrim) dhe nuk ka nevojë ta bëjë sexhden e harresës.

    – Nëse i kujtohet pasi që është larguar nga vendi dhe para se të ketë arritur te shtylla e radhës, duhet të kthehet menjëherë dhe të vijë me të, e pastaj ta plotësojë namazin, të japë selam, ta bëjë sexhden e harresës dhe përsëri të japë selam.

    – Nëse i kujtohet pasi të arrijë te shtylla e radhës në namazin e tij, nuk duhet të kthehet te vendi i detyrimit që e ka harruar, por e vazhdon namazin dhe në fund e bën sexhden e harresës para se të japë selam.

    Ilustrim me shembull:

    Namazfalësi harron ta thotë fjalën ‘subhane rabijel adhim’ në ruku; nëse i kujtohet që ka harruar para se të arrijë të drejtohet nga rukuja, ai detyrohet të kthehet në ruku dhe ta thotë dhikrin e rukusë. A, nëse është ngritur nga rukuja dhe është drejtuar në këmbë, nuk kthehet po e vazhdon namazin dhe e bën sexhden e harresës para selamit.

    1. Ai që e lë ndonjë sunet të namazit (sikur të lexojë pa zë në namazet me zë, ose duaja e hapjes së namazit etj.); nuk duhet ta bëjë sexhden e harresës, edhe nëse e lë me qëllim. Disa dijetarë e pëlqejnë që, nëse namazfalësi e lë një sunet të namazit, ta bëjë sexhden e harresës, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kur ndonjëri prej juve të harrojë, le t’i bëjë dy sexhdet e harresës.”[4]
    2. Namazfalësi, nëse shton dhikër që është pjesë e namazit, por atë nuk e thotë në vendin e vet të caktuar, sikur: e thotë dhikrin e caktuar në ruku dhe sexhde pastaj lexon Kuran në to, ose thotë “subhane rabijel eala” në ruku pasi që njëherë e ka thënë “subhane rabijel adhim”, dhe të ngjashme me to, ose me harresë e përsërit ndonjë shtyllë që është me fjalë sikur: leximi i sures Fatiha ose leximi i teshehudit të fundit më shumë se një herë; në këto raste nuk detyrohet sexhdja e harresës, sepse ai ka shtuar diçka që është pjesë e namazit. Por, është mirë dhe pëlqehet nëse e bën sexhden e harresës, sepse ai ka thënë ose ka vepruar diçka jo në vendin e vet në namaz.
    3. Namazfalësi që shton ndonjë lloj të dhikrit që nuk është pjesë e namazit, sikur: të thotë gjatë tekbirit në namaz “Allahu ekberu kebiren”, ose “Amin ja rabel alemin”; edhe në këtë rast nuk detyrohet sexhdja e harresës.
    4. Dyshimi në namaz vjen kur ka pavendosmëri dhe lëkundje në mes dy çështjeve se cila ka ndodhur (d.m.th. të dyshojë namazfalësi se a i ka falur tri rekate apo katër).

    Namazfalësi në tri raste nuk duhet t’i kushtojë vëmendje dyshimit:

    – kur dyshimi është thjeshtë ndonjë iluzion ose përfytyrim jo i vërtetë, sikur vesveset.

    – kur dyshimi është i shpeshtë, saqë çdo herë kur bën ibadet ka dyshime.

    – kur dyshimi vjen pasi ta kryejë ibadetin, në këtë rast nuk duhet t’i kushtojë vëmendje dyshimit, përderisa çështja nuk është e sigurt, andaj ai duhet të veprojë sipas bindjes së tij.

    1. Dyshimi në namaz nuk përjashtohet nga këto dy gjendje:

    Gjendja e parë: Nga dy çështje namazfalësi e zgjedh atë që mendon se është më afër së vërtetës dhe punon me të, pavarësisht a është më pak apo më shumë. Andaj, ashtu e plotëson namazin e tij, jep selam, e bën sexhden e harresës dhe prapë jep selam.

    Ilustrim me shembull:

    Në namazin e drekës dyshon në numrin e rekateve, a është rekati i dytë apo i tretë; në këtë rast anon që është në rekatin e tretë dhe pastaj vjen edhe më një rekat, e plotëson namazin, dhe pasi të japë selam e bën sexhden e harresës. Nëse anon që është në rekatin e dytë, pastaj e plotëson namazin dhe i fal edhe dy rekate, dhe e bën sexhden e harresës pas selami.

    Kjo duke u mbështetur në hadithin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili ka thënë: “Nëse ndonjëri prej juve dyshon në namazin e tij, le ta zgjedhë atë që mendon se është më e saktë dhe le ta plotësojë namazin, në fund le të japë selam dhe le t’i bëjë dy sexhdet e harresës.”[5]

    Gjendja e dytë: Kur nuk mund të zgjedhë dhe të vendosë për asnjërën prej dy çështjeve; në këtë rast ai duhet të veprojë sipas më të sigurtës, që nënkupton të zgjedhë më të paktën, më pas ta plotësojë sipas kësaj namazin e tij, ta bëjë sexhden e harresës para se të japë selam dhe në fund ta përfundojë namazin me selam.

    Ilustrim me shembull:

    Namazfalësi në namazin e drekës fillon të dyshojë, a është në rekatin e dytë apo në rekatin e tretë dhe nuk mund të vendosë për asnjërën; në këtë rast e zgjedh atë më të sigurtën, rekatin e dytë, pastaj e vazhdon dhe e plotëson namazin në bazë të këtij vendimi, dhe sexhden e harresës e bën para se të japë selam.

    A, nëse ai anon sigurt që është rekati i dytë, atëherë i fal edhe dy të tjera (nëse namazi është me katër rekate) dhe e plotëson namazin, dhe sexhden e harresës e bën pas selamit.

    Kjo duke u mbështetur në hadithin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili ka thënë: “Nëse ndonjëri prej juve dyshon në namazin e tij, a i ka falur tri apo katër rekate, le ta largojë dyshimin dhe le ta zgjedhë atë që mendon se është më e saktë, pastaj le t’i bëjë dy sexhde para se të japë selamin. Nëse i ka falur pesë rekate, këto dy sexhde do t’ia bëjnë çift numrin e rekateve, a nëse i ka falur katër të plota, atëherë këto dy sexhde do ta poshtërojnë shejtanin.”[6]

    1. Nëse imami harron diçka nga namazi dhe në fund të namazit e bën sexhden e harresës, xhemati detyrohet ta ndjekë atë dhe ta bëjë sexhden e harresës bashkë me të, pavarësisht a ka harruar xhemati diçka nga namazi apo ka harruar vetëm imami, dhe pavarësisht imami a bie në sexhde para selamit apo pasi të japë selam. Përveç, nëse ndokujt nga xhemati i ka ikur ndonjë rekat dhe duhet të ngrihet pasi që imami të japë selam, në këtë rast, ai nuk e ndjek imamin kur ta bëjë sexhden e harresës pas selamit, por ngrihet ta plotësojë atë që i ka ikur, pastaj jep selam dhe e bën sexhden e harresës pas namazit.
    2. Nëse imami harron në namaz, xhemati ia tërheq vëmendjen duke thënë ‘subhanallah’, e nëse imami nuk e bën sexhden e harresës dhe xhemati e sheh që ai nuk po e bën, ata detyrohen që ta bëjnë sexhden pasi të japin selam. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.
    3. Nëse gjatë namazit me xhemat, gabon me harresë ndonjëri nga xhemati dhe jo imami:

    – Nëse ai e ka filluar namazin me imamin, do të thotë nuk i ka ikur asnjë rekat, dhe harron diçka në namaz, në këtë rast ai nuk e bën sexhden e harresës, që mos ta kundërshtojë imamin në pasim. Përveç, nëse ndodh që të harrojë diçka nga namazi dhe kjo ia prish rekatin sikur, ta harrojë rukunë ose sexhden; në këtë rast, pasi që imami të japë selam, ai ngrihet dhe e fal edhe një rekat, pastaj jep selam dhe e bën sexhden e harresës pas selamit, sepse ai ka shtuar në namazin e tij.

    – Nëse nuk ka filluar namazin me imamin, ka ardhur më vonë dhe i ka ikur ndonjë rekat, dhe duke u falur me imamin ndodh që të harrojë diçka në namaz, ose ndodh të harrojë kur të ngrihet ta plotësojë namazin pasi që imami jep selam; në këtë rast e ka patjetër ta bëjë sexhden e harresës.

    1. Dijetarët nuk janë të një mendimi për sexhden e harresës (a bëhet para selamit apo pas selamit?)

    Mendimi më i saktë, Allahu e di më së miri, është që sexhdja e harresës bëhet para selamit në dy vende: kur të mangësohet në namaz, ose kur të dyshohet në namaz dhe namazfalësi nuk mund të vendosë se cila është më e saktë nga dy çështjet.

    Ndërsa sexhdja e harresës bëhet pas selamit në dy vende: kur të shtohet në namaz, ose kur të dyshohet në namaz dhe namazfalësi nga dy çështjet e vendos për njërën nga to që mendon se është e saktë.

    1. Mospajtimi i dijetarëve për meselenë që sexhdja e harresës a bëhet para apo pas selamit, është nga aspekti i pëlqimit dhe epërsisë. Përcillet që në këtë janë unikë të gjithë.

    Andaj ai që shton, pakëson ose dyshon në namazin e tij dhe sexhden e bën para selamit apo pasi të japë selam, namazi i tij është në rregull. Çështja është e gjerë, elhamdulilah. I këtij mendimi është edhe dijetari Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë.[7]

    Disa të tjerë thanë që mospajtimi i dijetarëve është nga aspekti i detyrimit e jo i pëlqimit. Andaj atëherë kur ligjërohet që sexhdja të bëhet para selamit, namazfalësi detyrohet ta bëjë para selamit, dhe atëherë kur ligjërohet të bëhet pas selamit, namazfalësi detyrohet ta bëjë pas selamit. Të këtij mendimi janë Ibën Tejmije, që e zgjodhi si mendim më të saktë dhe dijetari Ibën Uthejmini, Allahu i mëshiroftë![8]

    Më e mirë dhe më e sigurt për vendet e sexhdes së harresës është të pasohet suneti.

    1. Namazfalësi, nëse në namazin e tij i bën dy gabime; për njërin gabim sexhdja bëhet para selamit dhe për tjetrin gabim sexhdja bëhet pas selamit (sikur: kur e harron teshehudin e parë dhe e shton një ulje më tepër në namaz); në këtë rast, ai nuk i bën dy sexhde të harresës, por e bën vetëm një, edhe atë para selamit.
    2. Nëse gabimet me harresë shtohen brenda një namazi, namazfalësi mjafton që ta bëjë një sexhde të harresës, nuk ka nevojë ta përsërisë aq herë sa ka ndodhur gabimi në namaz, pavarësisht a është shtuar, pakësuar, ose dyshuar në namaz.
    3. Kush e lë me qëllim sexhden e harresës aty ku vendi i saj është të bëhet para selamit (dhe nuk e bën atë as para dhe as pas selamit); namazi i tij i prishet, sepse ai e ka lënë me qëllim një gjë të detyruar në namaz.

    Kush e lë me qëllim sexhden e harresës aty ku vendi i saj është të bëhet pas selamit; nuk prishet namazi i tij, por bën mëkat, sepse në këtë rast ajo është kompensim për ibadetin, por jashtë tij, prandaj nuk prishet namazi.

    Kjo vlen atëherë kur veprimi i harruar sikur të lihej me qëllim dhe kjo lënie është e rangut që e prish namazin, pavarësisht a është shtim apo pakësim në namaz.

    1. Kush e lë sexhden e harresës pa qëllim:

    – Nëse i kujtohet pas një kohë të shkurtër që e ka përfunduar namazin; ai e bën sexhden e harresës, pavarësisht se vendi i sexhdes ka qenë para apo pas selamit. Namazfalësi në këtë rast e ka për detyrim ta bëjë sexhden, edhe pse ajo nuk bëhet në vendin e saj të duhur.

    – Nëse i kujtohet pas një kohe më të gjatë që e ka përfunduar namazin; sexhdja e harresës bie dhe namazin e ka në rregull.

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, anon ka mendimi që namazfalësi kur ta kujtojë që e ka harruar sexhden e harresës, qoftë edhe pas një kohë më të gjatë, duhet të vijë me të.[9]

    1. Sexhdja e harresës ligjërohet në namazet vullnetare (nafile) sikur që ligjërohet në namazin farz, nëse gjenden shkaqet e saj. Ky është mendimi i të gjithë dijetarëve, në të kaluarën dhe në të tashmen, përveç Ibën Sirinit, Allahut e mëshiroftë!
    2. Sexhdja e harresës nuk ligjërohet në namazin e xhenazes, as në sexhden e leximit të ajeteve kuranore që kanë sexhde dhe as në sexhden e harresës.

    Ai që bën gabim me harresë në sexhden e harresës (sikur të harrojë ta thotë dhikrin e sexhdes ‘subhane rabijel eala); nuk detyrohet të bëjë sexhde tjetër (të dytë të harresës).

    1. Forma e dy sexhdeve të harresës në përshkrim dhe dhikër është sikur sexhdet e namazit. Para rënies në sexhde, namazfalësi e fillon me tekbir (thotë Allahu ekber), bie në sexhde me shtatë gjymtyrët, e shqipton atë që e shqipton në sexhden e namazit ‘subhane rabijel eala’ dhe bën dua, nëse do. Ulet në mes dy sexhdeve dhe e shqipton dhikrin ‘rabbigfirli’, që e shqipton në mes dy sexhdeve në namaz.
    2. Nuk ka ardhur argument që tregon se dy sexhdet e harresës veçohen me dhikër të veçantë. Disa dijetarë e kanë përmendur dhe e kanë pëlqyer të thuhet: “subhane me la jenamu ue la jes’hu (i lartësuar është Allahu, i Cili nuk fle dhe nuk harron)”, por kjo nuk ka bazë në fe, siç tha Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë![10]
    3. Nëse sexhdja e harresës bëhet para se të jepet selam; namazfalësi nuk ulet sërish në teshehud (për ta lexuar teshehudin, por jep selam, sh.p.). Ky është mendimi i të gjithë dijetarëve.

    Nëse sexhdja bëhet pas selamit; shumica e dijetarëve mendojnë që pas sexhdes ulet për teshehud (dhe e lexon teshehudin dhe lutjet e tjera, sh.p.).

    Më e saktë, Allahu e di më së miri, është që pas sexhdes së harresës nuk ka teshehud (në asnjërin rast. Sh.p.), sepse nuk ka ardhur ndonjë argument prej Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, që duhet të ulet në teshehud pas sexhdes. Ky është mendimi i dijetarëve të medh’hebit shafij, e zgjodhi si mendim më të saktë Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, dhe është fetvaja e Komisionit të Përhershëm të Fetvave.[11]

    E lusim Allahun të na japë sukses në atë që Ai e do dhe Atë e kënaq, dhe të na ndihmojë ta përmendim, ta falënderojmë dhe ta adhurojmë sa më mirë.

    Amin!

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”

    (I PËRKTHYER NË GJUHËN SHQIPE)

     

    [1] Zadul Mead, Ibën El-Kajim (1/277).

    [2] Buhariu (401), Muslimi (572).

    [3] Mexhmual Fetava (23/43).

    [4] Mexhmual Fetava (23/43).

    [5] Buhariu (401), Muslimi (572).

    [6] Muslimi (571).

    [7] Et-Temhid, Ibën Abdulber (5/33), Sherh n-Nevevij ala Muslim (5/56), Fet’hul Barij (3/93), Fetava Ibën Baz (11/267).

    [8] Mexhmual Fetava (23/36), Esh-Sherh El-Mumti’ (3/395).

    [9] Mexhmual Fetava (23/43-44).

    [10] Et-Telhis El-Habir, Ibën Haxher (2/12).

    [11] Mexhmual Fetava (23/50), Fetava El-Lexhnetu Ed-Daime (7/148).

  • PËRULJA NË NAMAZ – RREGULLA DHE DOBI

    PËRULJA NË NAMAZ – RREGULLA DHE DOBI

    1. Fjala ‘el-hushu’ (përulje) në aspektin gjuhësor do të thotë ulje, qetësi, rehati, nënshtrim, edhe pse nënshtrimi zakonisht ndodh me trup, kurse përulja bëhet me zemër, trup, zë dhe shikim, ashtu siç Allahu thotë: “Të ulura do të jenë shikimet e tyre…” (El-Kalem: 43). Po ashtu thotë: “…dhe do t’i ulin zërat para të Gjithëmëshirshmit. Ti nuk do të dëgjosh tjetër, veç pëshpëritjes…” (Ta Ha: 108)[1]
    2. Fjala ‘el-hushu’ (përulje) në aspektin terminologjik do të thotë: Të qëndrojë zemra para Allahut me bindje dhe me nënshtrim.

    Disa të tjerë e definuan si: Nënshtrimi i zemrave para të Gjithëdijshmit për të gjitha të fshehtat.

    Përulja e zemrës është një kuptim që aludon në madhëri, dashuri, nënshtrim dhe qetësim[2]; kurse ajo që e shtyn zemrën të përulet është frikërespekti nga Allahu dhe mbikëqyrja e Tij.[3]

    Shkurtimisht, përulja e zemrës është: “Një gjendje shpirtërore që ajo reflekton në gjymtyrë qetësi dhe nënshtrim.”[4]

    1. Përulja ndodh në namaz dhe jashtë tij, megjithatë me namazin është më e lidhur; në të përfshihen qëndrimi para Allahut, dhikri, leximi i Kuranit, rukuja dhe sexhdja.
    2. Vendndodhja e përuljes është zemra, kurse fryte të saj janë gjymtyrët, ato e reflektojnë jashtë atë. Kur zemra përulet, e pasojnë të gjitha gjymtyrët dhe organet atë në përulje. Ajo është mbreti, kurse gjymtyrët janë ushtarët e saj.

    Ky lloj i përuljes është i lavdëruar ngase, kur ajo depërton në zemër, i detyron edhe gjymtyrët të përulen. Këtë proces nuk mund ta ndalë apo ta kthejë askush.[5]

    1. Ka edhe përulje të qortuar dhe nga pamjet e saj është shtirja në sjellje (artificialitet në sjellje), ulja e kokës para njerëzve që të duket me pamje modestie dhe i devotshëm, pa qenë i tillë realisht me zemrën e tij.

    Prandaj Hudhejfe, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Kujdes nga përulja hipokrite.” I thanë: “E si është ajo?” Tha: “Ta shohësh trupin të përulur dhe zemra të mos jetë e përulur.”

    Omer ibën El-Hatabi, Allahu e mëshiroftë, e pa njërin që e uli qafën (kokën) e tij në namaz dhe i tha: “O ti që po e ul qafën, ngrije atë! Përulja nuk është në qafa, por ajo është në zemra.”[6]

    1. Dallimi në mes ‘përuljes imanore’ dhe ‘përuljes hipokrite’ është në atë se “përulja nga imani është përulja e zemrës për Allahun, në shenjë madhërie, madhështie, frikërespekti, nderimi, turpi; ashtu që zemra i përulet Allahut me një përulje, ku bashkohen droja, frika, dashuria dhe turpi, pohimi i dhuntive të Allahut dhe pohimi i gjynaheve të zemrës. Me përulje të tillë zemra patjetër e ka të përulet dhe atë ta pasojë përulja e gjymtyrëve.

    Kurse ajo hipokrite është e cila shfaqet në gjymtyrë, por me artificialitet dhe shtirje, sepse zemra nuk është e përulur.”[7]

    1. Përulja në namaz nënkupton praninë e zemrës para Allahut, e pranishme për shkak të afërsisë së Tij. Ashtu qetësohet zemra, rehatohet shpirti dhe qetësohen lëvizjet e namazfalësit. Ai i përulet Allahut duke e shfaqur nevojën për Të, me besim në Të dhe në takimin me Të. Lëvizjet e (panevojshme) tij në namaz janë të pakta, qëndron i edukuar para Zotit të tij, i ka në mend të gjitha ato që i thotë dhe i vepron, prej fillimit e deri në fund të namazit të tij. Ashtu i largon në namaz vesveset dhe mendimet e këqija nga mendja e tij.

    Kjo është shpirti i namazit dhe ajo që synohet. Kjo është ajo që i shkruhet robit si shpërblim. Namazi pa përulje dhe pa prani të zemrës në të, pranohet, por humb në shpërblim. Shpërblimi fitohet sipas përuljes dhe pranisë së zemrës. [8]

    Komentuesit e Kuranit për fjalën e Allahut: “…të cilët janë të përulur në namazin e tyre…” (El-Muminun: 2), i dhanë disa komente, ndër ta:

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ata janë të nënshtruar dhe të bindur.”

    El-Hasan El-Basrij dhe Katade, Allahu i mëshiroftë, thanë: “Janë të frikësuar.”

    Mukatil, Allahu e mëshiroftë, tha: “Janë të thjeshtë, të nënshtruar.”

    Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë, tha: “E ulën shikimin dhe e zvogëluan zërin.”[9]

    1. Përulja në namaz përmban qetësimin dhe përuljen. Ai që nxiton në namazin e tij dhe sexhdet i bën sikur çukit korbi, nuk është i përulur në sexhden e tij, po ashtu, ai që nuk e ngre kokën nga rukuja dhe nuk qëndron drejt pasi të ngrihet dhe para se të bjerë për në sexhde, ky nuk është qetësuar, sepse qetësimi në namaz nënkupton rehatinë në të. Andaj kush nuk ndien rehati në namazin e tij, ai nuk e ka arritur as qetësimin, e kush nuk e ka arritur qetësimin, nuk është përulur as në rukunë dhe as në sexhden e tij, e kush nuk është përulur ka bërë gabim dhe ka rënë në mëkat.[10]
    2. Përulja është nga dija e dobishme, çështja e saj tej mase është e rëndësishme, por edhe shumë shpejt humbet (ngrihet). Ajo është e para, e cila do të ngrihet nga dija, ashtu siç përcjellin Shedad ibën Eus dhe Ubade ibën Es-Samit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, të cilët thanë: “(Do të ngrihet përulja) Derisa të mos shohësh njeri të përulur.”[11]

    Ubade tha: “Nëse dëshiron të të tregoj për dijen e parë që do të ngrihet nga njerëzit; ajo është përulja, derisa kur të hysh në xhami të falesh me xhemat nuk ke për të parë namazfalës të përulur në namazin e tij.”[12]

    Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dija e dobishme është ajo që depërton në zemra. Ashtu ajo ia detyron zemrës qetësinë, frikën dhe përuljen, thjeshtësinë dhe nënshtrimin për Allahun. E kur ajo nuk e prek zemrën, por mbetet vetëm në gjuhë, bëhet argument i Allahut kundër birit të Ademit. Për këtë kuptim, Allahu i përshkroi në Kuran dijetarët se ia kanë drojën dhe frikën, dhe për ta thotë: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët…” (El-Fatir: 28). Dhe po ashtu thotë: “A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarin)?! Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!” (Ez-Zumer: 9)[13]

    1. Njerëzit dallojnë me njëri-tjetrin në namaz, nuk janë të njëjtë dhe gjendja e tyre ndryshon: disa e arrijnë kupën e qiellit me përuljen e tyre, e disa të tjerë as që e kanë mendjen në namaz, mendojnë rreth gjërave të tjera jashtë namazit.

    Njerëzit në namaz janë pesë gradë:

    Grada e parë: Ata që i bëjnë dëm vetes – ky grup është ai që ka mangësi në abdes, kohë, kufij dhe shtylla të namazit.

    Grada e dytë: Ata që përkujdesen për kohët, kufijtë, shtyllat e jashtme dhe abdesin, por karshi vesveseve në namaz e kanë humbur betejën me veten. Vesveset dhe mendimet ua humbin një pjesë të namazit atyre.

    Grada e tretë: Ata që përkujdesen për kufijtë dhe shtyllat e namazit, i largojnë vesveset dhe mendimet që u vijnë në namaz. Ky grup përpiqet ta fitojë armikun e tij, që mos t’i vjedhë nga namazi. Ata janë në namaz dhe në luftë.

    Grada e katërt: Ata që kur falen i plotësojnë të drejtat, shtyllat dhe kufijtë e namazit. Zemrat e tyre përkujdesen fort që t’i respektojnë kufijtë dhe të drejtat e namazit dhe të mos humbin asgjë nga to, madje brenga e tyre e tëra është që ta falin namazin si duhet, ta plotësojnë dhe ta përsosin atë. Çështja e namazit dhe ubudija (të qenët rob i Allahut) ua ka përvetësuar zemrat atyre.

    Grada e pestë: Ata që kur ngrihen për ta falur namazin, ngrihen me trup dhe me shpirt. Ata zemrat i vendosin përpara Allahut dhe me to shikojnë kah Ai, të mbushura me dashuri dhe me madhështi për Të, sikurse ta shohin me sy dhe ta kenë përpara Atë. Vesveset dhe mendimet në namaz u janë dobësuar. Pengesa në mes tyre dhe Allahut është larguar. Namazi i tyre karshi namazit të të tjerëve në vlerë dhe madhështi dallon aq shumë, si dallimi në mes qiejve dhe tokës. Për këta njerëz namazi është kënaqësia e syve të tyre dhe gjatë faljes së tij ata angazhohen vetëm se me Zotin e tyre dhe jo me dikë tjetër.

    Grupi i parë ndëshkohen, grupi i dytë merren në llogari, grupit të tretë i falet, ata të katërtit shpërblehen, kurse të pestit janë afër Zotit të tyre, sepse namazi u është bërë kënaqësi për sytë e tyre. E atij që syri i kënaqet me namaz në dynja, do t’i kënaqet syri edhe kur t’i afrohet afër Allahut në ahiret, si dhe po ashtu do të kënaqet me Allahun në dynja.[14]

    1. Robi qëndron përpara Allahut dy herë: në namaz dhe përpara Tij kur e takon në Ditën e Kiametit. Ai i cili ia jep hakun qëndrimit të parë (namazit), do t’i lehtësohet qëndrimi tjetër (në Ditën e Kiametit), kurse ai i cili nuk e merr për seriozisht dhe nuk e jep hakun e tij në këtë qëndrim, do t’i vështirësohet qëndrimi tjetër në Ditën e Kiametit. Allahu thotë: “Në një pjesë të natës bëji sexhde Atij dhe natën falju gjatë Atij. Vërtet që jobesimtarët e duan jetën e këtushme dhe nuk e përfillin një Ditë të vështirë, që do t’u vijë.” (El-Insan: 26-27)[15]; ky është argument se përulja në namaz ia lehtëson robit qëndrimin e tij përpara Allahut në Ditën e Kiametit.
    2. Namazi është shtylla më e madhe e veprimit në fe, kurse përulja është shpirti dhe thelbi i tij. Për namazin përulja është sikurse shpirti për trupin. Namazi pa përulje dhe pa prani shpirtërore është si trupi i vdekur pa shpirt në të.[16]
    3. Përulja në namaz është cilësi e besimtarëve të shpëtuar në dynja dhe ahiret. Madje, kësaj cilësie i është dhënë prioritet para cilësive të tjera të tyre, menjëherë pas imanit, në fjalën e Allahut: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre…” (El-Muminun: 1-2). Namazi pra, qenka përulje dhe nënshtrim për Allahun. Nga të gjitha përuljet ajo në namaz është më e vlefshmja, sepse namazfalësi i lutet Zotit të tij, e ndien në vete se po qëndron përpara Allahut, andaj i përulet Atij. Kjo është nga edukata e plotë me Zotin e tij.[17]
    4. Përulja në namaz është një nga shkaqet e hyrjes në Xhenet, ashtu siç Allahu thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre…” (El-Muminun: 1-2), dhe në fund të ajeteve thotë: “Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht.” ((El-Muminun: 10-11)

    Allahu në një vend tjetër në Kuran i përshkruan robërit e Tij të zgjedhur dhe për njërën nga cilësitë e tyre thotë: “…të përulurit dhe të përulurat…”, dhe si shpërblim i veprës së tyre: “…për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (El-Ahzab: 35)

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nuk ka mysliman që merr abdes dhe e plotëson atë, pastaj ngrihet dhe i fal dy rekate, me përulje në zemër dhe me trup të nënshtruar, e ka hak Xhenetin.”[18]

    1. Përulja në namaz është një nga shkaqet e faljes së gjynaheve. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kushdo që merr abdes të ngjashëm me abdesin tim, e pastaj i fal dy rekate dhe në to nuk e angazhon mendjen me diçka tjetër jashtë namazit, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[19]

    Me një transmetim tjetër: “Nuk ka mysliman që kur vjen koha e namazit e merr abdesin e plotë, pastaj e fal farzin me përulje dhe me ruku të plotë, vetëm se i shlyhen atij gjynahet e mëparshme, përderisa nuk i afrohet ndonjë mëkati të madh. Kështu do të jetë gjendja e tij për tërë jetën, nëse e vepron të njëjtën.”[20]

    Me një hadith tjetër Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, pasi që e përmendi vlerën e abdesit tha: “…e nëse e fal namazin (pasi që ka marrë abdes) dhe në të e falënderon, e lavdëron dhe e madhëron Allahun ashtu siç e meriton Ai, dhe në namaz zemrën ia përul Allahut, i shlyhen atij mëkatet derisa të bëhet sikurse ditën që e ka lindur nëna e tij (d.m.th pa gjynahe).”[21]

    1. Namazi njëmend është i vështirë për secilin, përveçse për të devotshmit. Për ta namazi është i lehtë, madje realisht është kënaqësi për sytë e tyre, ashtu siç Allahu thotë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit, që janë të bindur se do të takojnë Zotin e tyre dhe se do të kthehen tek Ai.” (El-Bekare: 45-46)

    “Kjo, sepse të devotshmin përulja dhe frika nga Allahu dhe të shpresuarit e asaj që gjendet tek Allahu, e bëjnë atë që ta falë namazin me zemërgjerësi, të shpresojë shpërblimin dhe t’ia ketë frikën ndëshkimit. Në krahasim me tjetrin që nuk është i tillë, atë nuk e nxit dhe nuk e inkurajon asgjë, që ta shpresojë shpërblimin dhe ta ketë frikë ndëshkimin, për këtë arsye edhe falja e namazit për të është nga veprat më të vështira.”[22]

    Namazi u duket i vështirë të padevotshmëve “shkaku se dashuria për Allahun, madhëria, madhështia dhe përulja për Allahun në zemrat e tyre është e mangët dhe nuk kanë dëshirë që t’i kultivojnë ato. Prezenca e robit në namaz, falja e namazit me përulje, plotësimi i namazit, dhënia e mundit maksimal për ta falur dhe përsosur namazin, vijnë sipas sasisë së dashurisë së tij për Allahun e Lartmadhëruar.”[23]

    1. Përuljen në namaz e arrin ai që zemrën e liron për namaz, e angazhon veten me namaz dhe jo me diçka të tjetër, i jep përparësi namazit para gjërave të tjera dhe atë e fal në mënyrën që kërkohet; kështu namazi për të bëhet rehati dhe kënaqësi për sytë e tij,[24] ashtu siç Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kënaqësia e syve të mi është në namaz.”[25]

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “O Bilal, ngrihu dhe rehatona me namaz.”[26]

    Kur je në namaz “lidhen zemra dhe shpirti me Allahun, robi është më afër Allahut, begatohet me të përmendurit e Tij, gëzohet me lutjen e Tij, qëndron para Tij, e përdor tërë trupin dhe fuqinë në ubudijen[27] e Tij.”[28]

    1. Nga faktet që e vërtetojnë rëndësinë e përuljes në namaz është se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kërkonte mbrojtje nga zemërngurtësia dhe mospërulja e zemrës; dhe thoshte: “O Allahu im, kërkoj mbrojtje te Ti nga dija e padobishme, nga zemra që nuk frikohet dhe nuk përulet, nga shpirti që nuk ngopet (nuk kënaqet me atë që e posedon) dhe nga lutja që nuk pranohet.”[29]
    2. Dijetarët nuk janë të një mendimi për dispozitën e përuljes në namaz, se a është nga obligimet e namazit apo nga mirësitë dhe veprat që e plotësojnë atë.

    Shumica e dijetarëve janë të mendimit se përulja në namaz është sunet nga sunetet e namazit, duke argumentuar se namazi llogaritet i saktë për namazfalësin që në namaz mendon rreth çështjeve të dynjasë. Po të ishte përulja kusht i namazit do të gjykonim për mossaktësinë e namazit të tij.

    Disa të tjerë nga dijetarët, si: imam El-Gazalij, El-Kurtubij, Ibën Tejmije, Ibën El-Kajim e të tjerë, thanë që përulja në namaz është obligim.[30]

    Si argument e përdorën fjalën e Allahut: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit…” (El-Bekare: 45); “ky ajet përmban qortimin e atyre që nuk përulen në namaz…. Dhe qortimi nuk vjen, përveçse, kur lihet një obligim ose veprohet një mëkat. Pasi mospërulësit në namaz qortohen, kjo aludon se përulja në namaz është obligim.”[31]

    Në një hadith ceket: “Njeriu del nga namazi (d.m.th. e përfundon namazin) dhe atij nuk i është shkruar nga namazi i tij, përveç një e dhjeta, një e nënta, një e teta, një e shtata, një e gjashta, një e pesta, një e katërta, një e treta, gjysma e tij.”[32]

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Ajo që e merr nga namazi yt është pjesa që je falur me përulje dhe ke qenë i pranishëm me mendje.”[33] Kjo është argument se nga namazi i njeriut llogaritet vetëm pjesa që në të ka qenë i pranishëm me mendje dhe i përulur me zemër për Zotin e tij.

    1. Mospërulja në namaz i pakëson shpërblimet. Ajo që i llogaritet namazfalësit nga shpërblimi i namazit është pjesa që ka qenë i përulur dhe i pranishëm me mendjen e tij. Allahu e ndërlidhi shpëtimin e namazfalësve me përuljen e tyre në namaz dhe thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre…” (El-Muminun: 1-2); ky ajet aludon se ai që nuk ka përulje nuk bën pjesë në radhët e të shpëtuarve, e nëse përulet, do ta fitojë shpërblimin e namazit dhe do të llogaritet në mesin e të shpëtuarve.

    Nëse në shumicën e namazit ka përulje, dijetarët janë unikë se namazi i tij në dynja i llogaritet dhe nuk duhet të përsëritet. Sunetet që falen para e pas farzit si dhe dhikri që bëhet pas farzit, e plotësojnë mangësinë e farzit.

    E nëse nuk ka përulje dhe koncentrim në shumicën e namazit, dijetarët nuk janë të një mendimi se a detyrohet përsëritja e namazit apo jo. Shumica e tyre thonë që nuk duhet të përsëritet dhe se namazi është i saktë (por ka mangësi në shpërblime). I këtij mendimi është edhe Ibën El-Kajimi. Allahu e mëshiroftë.[34]

    1. Vesveset sa më pak që janë në namaz aq më i plotë është namazi, siç erdhi në hadith: “Kushdo që merr abdes si ky abdesi që mora unë, pastaj i fal dy rekate dhe në to nuk e angazhon mendjen me diçka tjetër jashtë namazit, i falen atij gjynahet e mëhershme.”[35]

    Vesveset, nëse janë pak nuk e prishin namazin, në këtë janë të një mendimi të gjithë dijetarët, por ato e pakësojnë shpërblimin. Shpërblimet e namazit mund të plotësohet me namazet vullnetare, siç erdhi në hadith: “Njeriu del nga namazi (d.m.th. e përfundon namazin) dhe atij nuk i është shkruar nga namazi i tij përveç një e dhjeta, një e nënta, një e teta, një e shtata, një e gjashta, një e pesta, një e katërta, një e treta, gjysma e tij.”[36]

    A nëse vesveset në namaz janë shumë, disa dijetarë thanë që namazi prishet dhe ai duhet të përsëritet, por shumica e dijetarëve janë të mendimit se namazi nuk përsëritet dhe ai është i saktë. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nuk e urdhëroi atë që gaboi me harresë në namaz, që ta përsëriste namazin, por e urdhëroi ta bënte sexhden e harresës, dhe nuk bëri dallim se shumë apo pak ka qenë harresa. Ky është mendimi i Ibën Tejmijes dhe nxënësit të tij, Ibën El-Kajimit, Allahu i mëshiroftë!

    Por, në mes dijetarëve nuk ka mospajtim te shpërblimi i namazit, se shpërblimi merret aq sa namazfalësi është i pranishëm dhe i përulur me zemër.[37]

    1. Shkaqet që ndihmojnë për në përuljen në namaz ndahen në dy grupe:

    Grupi i parë: Shkaqet që e japin përuljen dhe e përforcojnë atë; kjo bëhet me përpjekjen e namazfalësit që ta kuptojë atë që e thotë dhe e vepron në namaz, të meditojë leximin, dhikrin dhe lutjet, t’ia kujtojë vetes se ai është duke iu lutur Allahut sikurse Atë ta shohë me sytë e tij, dhe të kërkojë nga Allahu që ta ndihmojë në shtimin e përuljes dhe përforcimit të tij.

    Grupi i dytë: Largimin e shkaqeve që e zbehin ose e largojnë përuljen; kjo bëhet me përpjekjen e namazfalësit për t’i larguar gjërat që e preokupojnë zemrën nga synimi i namazit, si: vesveset, cytjet dhe mendimet.[38]

    Andaj, namazfalësi duhet t’i njohë shkaqet që e sjellin përuljen, që ai t’i veprojë ato dhe t’i njohë shkaqet që e largojnë nga përulja e t’i mënjanojë ose t’i luftojë ato.

    1. Nga shkaqet që ndihmojnë të fitohet dhe të përforcohet përulja në namaz është parapërgatitja për në namaz, si: marrja e abdesit të plotë, përsëritja e ezanit me myezinin, veshja sa më bukur për namaz, braktisja e ushqimit që ka erë të keqe, shkuarja herët për në xhami, ecja për në xhami me qetësi, pritja e namazit në safin e parë, të angazhuarit me lutje, dhikër dhe lexim të Kuranit në mes ezanit dhe ikametit, radhitja dhe drejtimi i safave, sepse shejtanët depërtojnë nëpër zbrazëtirat e safave.
    2. Shkak tjetër që ndihmon të fitohet dhe të përforcohet përulja është qetësia në namaz dhe plotësimi i rukusë dhe sexhdes.

    Qetësia në namaz është nga shtyllat e namazit. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e urdhëroi sahabiun që nxitoi në namaz ta përsëriste namazin e tij[39]. Me një hadith tjetër Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Vjedhësi më i keq nga njerëzit është ai që vjedh në namazin i tij.” “E, si vjedh në namazin i tij, o i Dërguar i Allahut ?!”– i thanë. Tha: “Nuk e plotëson rukunë e as sexhden në namazin e tij.”[40]

    Ai që s’ka qetësi në namazin e tij s’mundet as të përulet, sepse falja me nxitim e largon përuljen dhe e humb shpërblimin.

    1. Shkak tjetër që ndihmon të fitohet përulja është përkujtimi i vdekjes në namaz. Pra, namazfalësi ta falë namazin sikurse të jetë i fundit për të dhe pas tij më nuk ka namaz tjetër. Përcillet me një hadith: “Kur të ngrihesh për ta falur namazin, fale sikurse të jetë namazi yt i fundit.”[41]
    2. Shkaqe të tjera që ndihmojnë të fitohet përulja janë rikujtimi i madhërisë dhe i madhështisë së Atij që i qëndron përpara në namaz, turpërimi nga Ai, përkujtimi se të gjitha çështjet i rregullon dhe i drejton Ai, përkujtimi se kur në namaz e lexon suren Fatiha, atij i përgjigjet Allahu, pastaj meditimi i ajeteve që i lexon apo i dëgjon në namaz, leximi i rrjedhshëm dhe zbukurimi i zërit gjatë leximit të tyre, bashkëveprimi me to, meditimi i dhikrit të namazit, llojllojshmëria e sureve që i lexon, dhikri dhe lutjet e ndryshme që i thotë në fillim të namazit, ruku dhe sexhde. Kur namazfalësi në këtë mënyrë e përfundon namazin e tij, del me iman dhe bindje të shtuar në Zotin e tij.
    3. Shkaqe të tjera që ndihmojnë të fitohet përulja është:

    – Marrja e sutres[42] për namaz dhe falja e namazit afër sutres që shejtani të mos ia ndërprejë namazin atij. Sutra ia përmban namazfalësit shikimin që të shikojë çfarë ka pas sutres dhe kjo bëhet shkak t’i ndihmojë që ta shtojë përuljen dhe të mos kthehet majtas apo djathtas në namaz.

    – Vendosja e dorës së djathtë mbi atë të majtën gjatë qëndrimit në namaz. Kjo është nga shenjat e përuljes dhe nënshtrimit për Allahun. Kjo është më afër përuljes dhe i parandalon lëvizjet e panevojshme.

    – Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu nga shejtani i mallkuar para se të fillohet me lexim në fillim të namazit si dhe përpjekja e namazfalësit për ta mundur shejtanin gjatë namazit. Uthman ibën Ebi El-As, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “O i Dërguar i Allahut, shejtani po ndërhyn në mes meje dhe namazit tim dhe po ma ngatërron leximin.” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Ky është shejtani që quhet Hanzeb. Kur ta ndiesh se të ngacmon, kërko mbrojtje tek Allahu nga ai dhe pështyj lehtë tri herë në të majtën tënde.” Uthmani tha që veprova ashtu dhe Allahu e largoi nga unë.[43]

    – Gjatë qëndrimit në këmbë pëlqehet të shikohet në vendin e sexhdes, kurse në teshehud pëlqehet që shikimi të jetë në gishtin tregues të dorës së djathtë dhe lëvizja e gishtit për shejtanin është më e rëndë se hekuri.

    – Përkujdesja për shqiptimin e dhikrit pas përfundimit të namazit. Kjo ndihmon në përqendrimin e gjurmës së përuljes në zemër.

    – Lutja për përulje, nënshtrim dhe kërkimi i ndihmës nga Allahu për realizimin e tyre.

    – Meditimi i gjendjes së të parëve tanë të mirë në namazin e tyre. Ata kishin përulje të madhe dhe namazi kishte vlerë të madhe në zemrat e tyre. “Kur ndonjëri nga ta fillonte me namaz dhe qëndronte në mihrabin e tij dhe e fillonte namazin me fjalët e Zotit, zemra e tij e përfytyronte se ky qëndrim është qëndrimi i njerëzve para Allahut në Ditën e Kiametit. Kjo ia copëtonte zemrën dhe mendja e tij fokusohej në namaz duke harruar çdo gjë tjetër.”[44]

    Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Kur ndonjëri nga ta hynte në namaz, përderisa ishte në namaz i frikësohej Allahut që ta lëvizte shikimin e tij, ose të kthehej në të majtë dhe në të djathtë, ose të lëvizte ndonjë guralec, ose të merrej me diçka të panevojshme, ose të mendonte rreth çështjeve të dynjasë, përveç me harresë.”[45]

    1. Shkaqe të tjera që ndihmojnë të fitohet përulja në namaz është largimi i çdo gjëje që e pengon dhe e largon nga përulja:

    – Largimi i çdo gjëje nga vendfalja që e dekoncentron në namazin, si: vizatime, piktura dhe zbukurime, pastaj mosfalja e namazit afër vendit ku njerëzit bisedojnë dhe ndejave të kota, televizionit dhe të ngjashme me to. Këtu bën pjesë edhe përkujdesja për ta fikur celularin ose ulja e zërit të tij.

    – Mospreokupimi i zemrës me gjëra të tjera jashtë namazit.

    – Të mos falet kur është i përgjumur, ose kur ushqimi është gati dhe ai është i uritur, ose kur ka nevojë për kryerjen e dy nevojave fiziologjike. Në një hadith: “Nuk falet namazi kur ushqimi është i shtruar dhe as kur ai ka nevojë t’i kryejë dy nevojat fiziologjike.”[46]

    Me një hadith tjetër Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kur ndonjëri nga ju është duke u falur dhe atij i flihet, le (të dalë nga namazi) të shtrihet që të flejë derisa t’i largohet gjumi sepse, nëse ndonjëri nga ju falet i përgjumur, në vend se të kërkojë falje për veten e tij, mund që të lutet kundër vetes së tij.” [47]

    – Trupit t’i jepet haku me gjumë dhe pushim, braktisja e pagjumësisë, përveç rasteve me nevojë, që namazfalësi për namaz të jetë aktiv.

    – Duhet të pengohet hapja e gojës, nuk duhet që namazfalësi të kthehet anëve në namaz si dhe nuk duhet që ta ngrejë shikimin kah qielli.

    – Braktisja e përngjasimit me kafshët në namaz. Andaj namazfalësi nuk duhet t’i bëjë sexhdet sikur çukit korbi, nuk duhet t’i shtrijë krahët në sexhde ashtu si i shtrijnë kafshët e egra dhe nuk duhet të kthehet anëve në namaz sikurse lëvizjet e dhelprës.[48]

     

    E lus Allahun që të na bëjë nga ata që përulen dhe binden për Allahun, të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin e drejtë të Tij.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan Jahiu

    Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”

    (I PËRKTHYER NË GJUHËN SHQIPE)

     

    [1] Shih: Lisanul Arab (8/71), Medarixh Es-Salikin, Ibën El-Kajim (1/516).

    [2] Medarixh Es-Salikin, Ibën El-Kajim (1/516, 517, 518).

    [3] Tefsir Ibën Kethir (6/418).

    [4] El-Kurtubij (1/374).

    [5] Tefsir El-Kurtubij (1/375, 12/103), Medarixh Es-Salikin, Ibën El-Kajim (1/517), Edh-Dhul ue El-Inkisar lil-Aziz El-Xhebar, Ibën Rexheb (fq. 32).

    [6] Tefsir El-Kurtubij (1/375, 12/103), Medarixh Es-Salikin, Ibën El-Kajim (1/517),

    [7] Er-Ruh, Ibën El-Kajim (fq. 232).

    [8] Tefsir Es-Sadij, (fq. 51, 547).

    [9] Tefsir El-Bagavij (5/408).

    [10] Mexhmual Fetava (22/554, 558), Kitabul Iman (fq. 26).

    [11] Nesaiu fi “El-Kubra” (5878).

    [12] Tirmidhiu (2653).

    [13] Edh-Dhul ue El-Inkisar lil-Aziz El-Xhebar, Ibën Rexheb (fq. 45).

    [14] El-Vabil Es-Sajib, Ibën El-Kajim (fq. 23).

    [15] El-Fevaid, Ibën El-Kajim (fq. 200).

    [16] Medarixh Es-Salikin (1/523), El-Vabil Es-Sajib (fq. 10).

    [17] Et-Tehrir ue Et-Tenvir, Tahir ibën Ashur (18/9).

    [18] Muslimi (234)

    [19] Buhariu (159), Muslimi (226).

    [20] Muslimi (228).

    [21] Muslimi (832).

    [22] Tefsir Es-Sadij (fq. 51).

    [23] Kitabu Es-Salah, Ibën El-Kajim (fq. 140).

    [24] Tefsir Ibën Kethir (5/461).

    [25] Nesaiu (3939), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [26] Ebu Davudi (4985), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [27] Të qenët rob i Allahut (sh.p.)

    [28] Zadul Mead (4/185).

    [29] Muslimi (2722).

    [30] Ihja Ulumu Ed-Din (1/159), Tefsir El-Kurtubij (12/104), Mexhmual Fetava (22/553), Medarixh Es-Salikin (1/132, 521-526), El-Meusua El-Fikhije (19/117).

    [31] Mexhmual Fetava (22/553).

    [32] Ebu Davudi (796), Ibën Hibani e saktësoi hadithin (1889), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

    [33] Mexhmual Fetava (22/603, 612, 32/217), Minhaxh Es-Suneh En-Nebevije (5/195, 6/217), Medarixh Es-Salikin (1/132, 521).

    [34] Medarixh Es-Salikin (1/521, 526).

    [35] Buhariu (159), Muslimi (226).

    [36] Ebu Davudi (796), Ibën Hibani e saktësoi hadithin (1889), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

    [37] Mexhmual Fetava (22/603, 611), El-Ihtijarat El-Fikhije (fq. 59), Minhaxh Es-Suneh En-Nebevije (5/195), Medarixh Es-Salikin (1/132).

    [38] Mexhmual Fetava (22/605).

    [39] Buhariu (757), Muslimi (397).

    [40] Ibën Hibani (1888), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

    [41] Ibën Maxhe (4171), El-Busirij e vlerësoi si hadith të dobët, shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

    [42] Sutra është ajo që e merr namazfalësi si pengesë në mes tij dhe atij që kalon përpara. D.m.th. vendos diçka përpara tij dhe hapësira në mes tij dhe asaj që e vendos është deri te vendi ku bie në sexhde dhe qëllimi i sutres është që të jetë si shenjë dalluese se ku është vendi që bie në sexhde namazfalësi dhe të tjerët të mos kalojnë në atë hapësirë ku ai falet. (sh.p.)

    [43] Muslimi (2203).

    [44] Hiljetul Evlija, Ebu Nuajm (9/340).

    [45] Teadhim Kadru Es-Salah, Ibën Nasër El-Mervezij (1/188), Tefsir Et-Taberij (4/381).

    [46] Muslimi (560).

    [47] Buhariu (212), Muslimi (786).

    [48] Për më shumë dije që të njihen shkaqet shtesë që ndihmojnë në përulje duke u bazuar në argumente: “33 Shkaqe që ndihmojnë përuljen në namaz”, Dr. Muhamed Salih El-Munexhid. (Libër ky i cili është i përkthyer në shqip nga hoxhë Sabit Gashi dhe botuar nga shtëpia botuese “Libart”) (sh.p.)

  • NAMAZI I NATËS DHE NAMAZI TERAVIVE – RREGULLA DHE DOBI

    NAMAZI I NATËS DHE NAMAZI TERAVIVE – RREGULLA DHE DOBI

    1. Fjala ‘Kijamul lejl’[1] do të thotë zgjohet natën për t’u falur, para se të bjerë në gjumë ose pasi të zgjohet nga gjumi.

    Kurse fjala ‘Et-tehexhud’ është namazi që falet natën pasi që zgjohet nga gjumi.

    ‘Hexhede er-rexhulu’ do të thotë fle natën.

    Fjala ‘Hexhede’ do të thotë falet natën.

    Kurse ‘El-Mutehexhid’ është ai që zgjohet nga gjumi natën për t’u falur.[2]

    1. Namazi i natës është sunet i vërtetuar (i fortë), i vërtetuar me Kuran, me Sunet dhe me unitetin e umetit.

    Allahu, kur i përshkruan cilësitë e robërve të të Gjithëmëshirshmit, thotë: “…dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë;” (El-Furkan: 64)

    Allahu në Kuran i lavdëroi të devotshmit me fjalët e Tij: “Pa dyshim, ata që i frikësohen Allahut do të jenë në kopshte dhe burime, duke marrë atë që ua ka dhuruar Zoti i tyre, meqë më parë kanë qenë punëmbarë. Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 15-18)

    “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde: 16-17)

    “A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarin)?! Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!” (Ez-Zumer: 9)

    Ka edhe shumë ajete të tjera ku në to Allahu i lavdëroi të devotshmit.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Agjërimi më i mirë pas agjërimit të Ramazanit është agjërimi i muajit Muharrem. Namazi më i mirë pas namazit farz është namazi i natës.”[3]

    1. Disa dijetarë, bazuar në hadithin e lartpërmendur, thanë që namazi i natës në mënyrë absolute është namazi më i vlefshëm pas namazit farz. Në anën tjetër, shumica e dijetarëve thanë që namazi i natës është namazi më i vlefshëm pas namazit farz dhe pas suneteve të vazhdueshme (të forta që falen para dhe pas namazit farz), ndërsa për hadithin e lartpërmendur thanë që për qëllim është se namazi i natës është më i mirë se çdo namaz vullnetar i përgjithshëm, pa i përfshirë këtu sunetet e vazhdueshme.

    Dijetarët janë unikë se namazi vullnetar gjatë natës është më i vlefshëm se namazi vullnetar gjatë ditës. Po ashtu istigfari (kërkimfalja) në kohën e agimit është më i vlefshëm se në kohët e tjera.

    1. Namazi i natës është një nga shkaqet që e fusin njeriun në Xhenet dhe i ngrihen shkallët në të. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Në Xhenet ka dhoma, pjesa e jashtme e tyre duket nga brenda dhe pjesa e brendshme e tyre duket nga jashtë… Allahu i ka përgatitur për atë që flet mirë, jep ushqim, agjëron dhe falet natën kur njerëzit janë në gjumë.”[4]

    Fjalët e para që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të, i tha kur hyri në Medine ishin: “O ju njerëz, përhapeni selamin, jepni ushqim, faluni natën kur njerëzit janë në gjumë, do të hyni me paqe në Xhenet.”[5]

    1. Namazi i natës është një nga shkaqet që e shpëtojnë njeriun nga ndëshkimi i zjarrit.

    Rrëfehet për Abdullah ibën Omerin, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, se kishte parë në ëndërr dy melekë që e morën dhe e çuan te zjarri. Abdullahu filloi të thoshte: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga zjarri!” Më pas Abdullahu thotë që e takuam edhe një melek tjetër i cili më tha: “Mos u friko, nuk do të dëmtohesh.” Kur i treguan Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për ëndrrën tha: “Sa njeri i mirë që është Abdullah ibën Omeri, sikur të falej edhe natën.” Pas kësaj Abdullah ibën Omeri më nuk flinte natën, përveçse pak.[6]

    Dijetarët thonë: “Nga dobitë e hadithit është paraqitja e vlerës së namazit të natës dhe ai është shkak që njeriun e shpëton nga zjarri.

    Abdullah ibën Omerit i thanë: ‘Mos u friko, nuk do të dëmtohesh’ për shkak se ishte njeri i mirë dhe punëmirë, përveçse nuk falte namaz nate shumë; e sikur të falej natën, nuk do ta çonin te zjarri dhe s’kishte për ta parë atë.

    Prej atëherë që Abdullahu e pa në ëndërr se si dukej zjarri i Xhehenemit, nuk e la më namazin e natës.

    Po ashtu nga dobitë e hadithit është se ai që falet natën përshkruhet si ‘burrë i mirë’.”[7]

    1. Namazi i natës është praktikë e njerëzve të mirë, zakoni dhe emblema e të devotshmëve, medreseja e besimtarit dhe Xheneti i tij në dynja.

    Allahu në Kuran i lavdëroi robërit e Tij të devotshëm me fjalët: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18)

    “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde: 16-17)

    “…dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë;” (El-Furkan: 64)

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Faleni namazin e natës, sepse ai është praktikë e njerëzve të mirë para jush, shkak që t’i afroheni Zotit tuaj dhe që t’ju falen mëkatet. Namazi i natës e ndalon të keqen dhe e largon sëmundjen prej trupit.”[8]

    1. Prishja e gjumit, braktisja e shtratit të ngrohtë dhe ngritja për namazin e natës janë sebepe që Allahu ta dojë robin dhe ta lavdërojë veprën e tij.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Zoti ynë çuditet me dy persona: Njeriu që ngrihet prej shtratit dhe familjes e shkon në namaz. Atëherë Allahu thotë: ‘O ju melekët e Mi, shikojeni robin Tim si është ngritur për namaz, e ka lënë shtratin dhe familjen dhe ka ardhur në namaz, nga dëshira dhe malli që ta fitojë atë që është tek Unë’.

    Dhe me tjetrin që doli të luftonte në rrugë të Allahut, bashkëluftëtarët e tij humbën betejën, ndërsa ky mbeti të vendoste në mes ikjes dhe qëndrimit, e dinte shpërblimin e çdonjërës vepër, prandaj u kthye në betejë derisa u derdh gjaku i tij. Allahu u tha melekëve: ‘O ju melekët e Mi, shikojeni robin Tim, u kthye nga dëshira dhe malli që ta fitojë atë që është tek Unë, derisa u derdh gjaku i tij’.”[9]

    I pari prej tyre e la shtratin për Allahun, i dha përparësi veprës që e do Allahu para veprës që e do shpirti i tij, u ngrit dhe i radhiti këmbët për namaz për Zotin e tij, e shpërblimi ishte përjetësi në kopshtet e begata të Xhenetit, ashtu siç Allahu thotë: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde: 16-17)

    Muhamed El-Kuredhij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ata e fshehën veprën (u falën natën ku nuk i shihte askush) dhe si shpërblim Allahu e fshehu për ata sevapin (në jetën tjetër). U ngritën natën e synuan Allahun, andaj u gëzuan sytë dhe shpirtrat e tyre.”[10]

    Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Medito se si Allahu i shpërbleu për fshehjen e namazit të natës; me shpërblime që askush nuk di se çfarë janë fshehur për ata (në jetën tjetër). Dhe medito se si Allahu i shpërbleu për mërzinë, frikën dhe mallëngjimin që e kishin në shtrat dhe zgjoheshin për namaz nate; i shpërbleu me gëzimin e syve dhe shpirtrave të tyre në Xhenet.”[11]

    Ai që natën e prish gjumin dhe e lë shtratin e ngrohtë është nga të devotshmit që për ata Allahu thotë: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18)

    1. Namazi i natës është nder për besimtarin, shkak për ngritjen dhe rritjen e pozitës së tij.

    Përcillet me një hadith se i erdhi një ditë Xhibrili Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe i tha: “O Muhamed, dije se lartësimi i besimtarit arrihet me namazin e natës dhe krenaria e tij është duke mos pasur nevojë për njerëzit.”[12]

    1. Leximi i Kuranit në namazin e natës është thesar i madh, nuk privohet nga leximi i tij përveç të shkujdesurit.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush i lexon dhjetë ajete në namazin e natës, nuk shkruhet nga të pakujdesshmit; kush i lexon njëqind ajete në namazin e natës, shkruhet nga të devotshmit; kush i lexon një mijë ajete në namazin e natës shkruhet nga pronarët me pasuri të panumërt.”[13]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u tha shokëve të tij: “A dëshironi që kur të ktheheni te familjet tuaja t’i gjeni tri deve me bark (shtatzëna), të mëdha dhe të shëndosha?” I thanë: “Po.” Ai u tha: “Kush i lexon në namaz tri ajete, për të janë më të mira se tri deve me bark (shtatzëna), të mëdha dhe të shëndosha.”[14]

    1. Leximi i Kuranit në namazin e natës është mirësi e madhe, myslimanët njëri me tjetrin duhet që të garojnë në këtë fushë, si dhe t’ua kenë lakminë atyre që e lexojnë.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Zilia nuk lejohet përveç në dy raste: T’ia kesh zili një njeriut që Allahu ia ka mësuar Kuranin, atë e lexon gjatë natës dhe gjatë ditës. Dhe t’ia kesh zili një njeriut që Allahu i dha pasuri dhe atë e shpenzon në rrugë të drejtë gjatë ditës dhe gjatë natës.”[15]

    Zilia e përmendur në këtë hadith nuk e ka për qëllim zilinë që ndalohet, sepse ai lakmon t’i posedojë ato begati sikurse tjetri dhe të veprojë me to sikurse vepron tjetri, por nuk e dëshiron largimin e tyre prej pronarit. Kurse zilia e cila ndalohet është ajo kur njeriu e dëshiron largimin e begative nga tjetri dhe zhdukjen e tyre. Kjo lloj zilie është e pëlqyer në fushën e ibadetit. Kuptimi i përgjithshëm është që nuk ka zili që pëlqehet, përveç këtyre dy cilësive dhe të ngjashmeve me to në kuptim.[16]

    1. Namazi i natës është një nga format e falënderimit të Allahut për mirësinë trupore që ia dha njeriut.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, falej natën derisa i ënjteshin këmbët e tij, e i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Allahu t’i ka falur të gjitha gjynahet e mëhershme dhe të mëvonshme!” Tha: “A të mos jem rob falënderues?!”[17]

    Në Pejgamberin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ne e kemi shëmbëlltyrën më të mirë.

    Abdullah ibën Revaha, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, për Pejgamberin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Në mesin tonë e kemi Pejgamberin e Allahut, na lexon librin e Allahut;

    Kur çelet dita në agim me shkëlqimin e saj;

    Ai na e mësoi udhëzimin me të pasi që ishim të verbër;

    Zemrat të bindura plotësisht se atë që e tregon (Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të), është e vërtetë dhe do të ndodhë;

    Kalon natën dhe trupi i tij nuk e prek shtratin;

    Kur jobesimtarët në shtrat thellohen në gjumë.”[18]

    1. Namazi i natës fillon pas namazit të jacisë e deri në lindjen e sabahut (imsakut). Namazi i natës lejohet të falet në fillim, në mes ose në fund të natës.

    Koha më e mirë për namaz është pjesa e tretë e natës. Në këtë kohë zbret Allahu në qiellin e dynjasë.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Koha, kur Zoti është më afër robit të Tij, është në pjesën e fundit të natës. Nëse ke mundësi të jesh nga ata që e përmendin Allahun në këtë kohë, bëhu prej tyre.”[19]

    Me një hadith tjetër: “Namazi më i dashur për Allahun është namazi i Davudit, alejhi selam, dhe agjërimi më i dashur për Allahun është agjërimi i Davudit, alejhi selam. Ai flinte në gjysmën e parë të natës, falej në një të tretën tjetër dhe përsëri flinte në një të gjashtën që mbetej nga nata. Agjërimi i tij ishte një ditë po dhe një ditë jo.”[20]

    Me një hadith tjetër: “Zbret Allahu i Madhërishëm për çdo natë në qiellin e dynjasë kur mbetet një e treta e fundit prej saj dhe thotë: “Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush kërkon prej Meje që t’i jap? Kush kërkon falje që ta fal atë?”[21]

    1. Namazi i natës nuk ka numër të kufizuar të rekateve, mund të falen më shumë ose më pak, edhe pse shkurtimi në njëmbëdhjetë rekate është më i mirë, nga fakti që kështu veproi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Namazi i natës është dy nga dy. Nëse dikush nga ju frikësohet për humbjen e namazit të sabahut, le ta falë vitrin një rekat, që t’i përfundojë me tek namazet që i ka falur gjatë ditës [22]

    Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Ramazan dhe jashtë Ramazanit, në namazin e natës nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate.[23]

    1. Myslimani para se të bjerë të flejë është mirë që ta bëjë nijetin të zgjohet natën për t’u falur. Nijeti i tij duhet të jetë i prerë dhe i vendosur, ndërsa për gjumin që e bën ta bëjë nijetin të forcohet për ibadet, që ta fitojë shpërblimin e gjumit dhe të namazit të natës.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush e ka zakon të zgjohet për namazin e natës, por e zë gjumi (ndonjë natë), Allahu ia shkruan atij shpërblimin e namazit (sikurse të kishte falur), kurse gjumi i tij i shkruhet lëmoshë.”[24]

    1. Për atë që zgjohet natën për t’u falur pëlqehet:

    – Të fërkojë me duar fytyrën që ta largojë gjumin.

    – T’i lexojë lutjet e zgjimit nga gjumi.

    – Ta përdorë misvakun.

    – T’i lexojë ajetet e fundit të sures Ali Imran: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët…” e deri në fund të sures (Ali Imran: 190-200).

    – Namazin ta hapë me faljen e dy rekateve të lehta, e pastaj të falet sa të dojë dhe pas faljes së çdo dy rekateve të japë selam.

    – Namazin ta përfundojë me faljen e vitrit. Falja e vitrit në fund të natës është më mirë.

    1. Sipas disa dijetarëve, namazi ku në të qëndrohet më gjatë në këmbë, është më i mirë se namazi ku në të qëndrohet më gjatë në ruku dhe sexhde dhe numri i rekateve është më i madh. Për bazë e marrin hadithin: “Namazi më i mirë është ai namaz ku qëndrohet gjatë në këmbë.”[25]

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, mendon se qëndrimi i gjatë në këmbë, në ruku dhe në sexhde në namaz është më i mirë se namazi që ka më shumë rekate, ruku dhe sexhde. Po ashtu tha që sexhdja është më e mirë se qëndrimi në këmbë.[26]

    Ndoshta më afër së vërtetës është që kjo çështje varet nga gjendja e namazfalësit, andaj secili le të falet sipas ambicies dhe vitalitetit të tij, përuljes dhe kënaqësisë që e ndien në namaz, mundësisë dhe takatit që Allahu ia jep për namaz. Kush e zgjat qëndrimin në këmbë, le ta zgjatë rukunë dhe sexhden. Kush e shkurton qëndrimin në këmbë, le ta shkurtojë rukunë dhe sexhden. Kush i ndryshon mënyrat herë pas here dhe falet herë ashtu e herë ashtu, kjo është më e mirë.

    1. Nga rregullat e leximit të Kuranit në namazin e natës janë:

    Pëlqehet që Kuranin ta lexojë rrjedhshëm dhe ngadalë që kjo t’i ndihmojë në kuptimin dhe përsiatjen e tij, të kujdeset për rregullat e texhvidit dhe të leximit, ta zbukurojë zërin gjatë leximit, të mos e ngrejë zërin shumë e as të mos e ulë shumë, por niveli i zërit të jetë mesatar.

    Gjatë leximit të ndalet te kuptimi i ajeteve, t’i lexojë me përulje, t’i rrënqethet lëkura gjatë dëgjimit të tyre dhe t’i lotojnë sytë nga ndikimi i tyre në zemrën e tij.

    Gjatë leximit të ndalet tek ajetet dhe t’i meditojë; kur të kalojë tek ajeti ku përmendet lavdërimi i Allahut, pëlqehet të thotë subhanallah, kur të kalojë tek ajeti ku përmendet mëshira, pëlqehet të ndalet dhe ta kërkojë mirësinë nga Allahu. Kur të kalojë tek ajeti ku kërkohet mbrojtje ose tek ajeti ku përmendet ndëshkimi i Allahut, pëlqehet të kërkojë mbrojtjen e Allahut. Tek ajetet ku përmenden begatitë e Allahut dhe Xheneti, pëlqehet t’i kërkojë ato nga Allahu, ndërsa tek ajetet e ndëshkimit dhe zjarrit pëlqehet të kërkojë mbrojtjen e Allahut nga zjarri i Xhehenemit.

    Nuk ka pengesë për besimtarin i cili nuk është hafëz që të lexojë nga Mus’hafi në namaz.

    1. Pëlqehet, për atë që zgjohet për t’u falur natën, ta zgjojë gruan e vet për namaz dhe, po ashtu gruaja ta zgjojë burrin e saj për namaz, e nëse jo për namaz nate, burri le ta zgjojë gruan për ta falur vitrin.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu e mëshiroftë burrin që ngrihet natën për t’u falur, pastaj e zgjon gruan e vet dhe ajo falet, e nëse ajo refuzon të ngrihet, e stërpik me ujë në fytyrë. Allahu e mëshiroftë gruan që ngrihet natën për t’u falur, pastaj e zgjon burrin e saj dhe ai falet, e nëse ai refuzon të ngrihet, e stërpik me ujë në fytyrë.”[27]

    Me një hadith tjetër: “Kush ngrihet natën për namaz dhe e zgjon gruan e vet, i falin nga dy rekate, të dy shkruhen nga ata dhe ato që shumë e përmendin Allahun.”[28]

    Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, falej natën, pasi që e falte vitrin, më zgjonte nga gjumi dhe më thoshte: “Zgjohu Aishe dhe fale vitrin.”[29]

    1. Nuk ka pengesë nganjëherë që namazi i natës të falet me xhemat jashtë Ramazanit. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e fali një herë bashkë me Ibën Abasin, e një herë me Ibën Mesudin, e një herë tjetër me Hudhejfen, në shtëpinë e vet. Megjithatë namazin e natës me xhemat nuk e veproi vazhdimisht, por herë pas here, si dhe nuk e falte në xhami, prandaj nuk llogaritet që është sunet i vazhdueshëm por, nëse falet ndonjëherë, nuk është problem.[30]
    2. Kush ndien që i flihet në namaz, le (të dalë nga namazi) të shtrihet që të flejë derisa t’i largohet gjumi.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kur ndonjëri nga ju është duke u falur dhe atij i flihet, le (të dalë nga namazi) të shtrihet që të flejë derisa t’i largohet gjumi sepse, nëse ndonjëri nga ju falet i përgjumur, në vend se të kërkojë falje për veten e tij, ndodh që të lutet kundër vetes së tij.”[31]

    Me një hadith tjetër: “Kush ngrihet natën për namaz, (dhe për shkak që i flihet) lexon Kuran me paqartësi dhe nuk e di se çfarë lexon, le të shtrihet që të flejë.”[32]

    Me një hadith tjetër: “Kur të jeni aktivë faluni kurse, kur të ndieni plogështi dhe lodhje, pushoni.”[33]

    1. Pëlqehet të shpeshtohen lutjet dhe istigfari (kërkimfalja) gjatë tërë natës, e në veçanti në pjesën e tretë të natës, ndërsa koha më e mirë për istigfar është në agim.

    Allahu thotë: “…dhe që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.” (Ali Imran: 17)

    Dhe thotë: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18)

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Natën është një kohë, nëse myslimani ia qëllon dhe e lut Allahun në këtë kohë për mirësi nga çështja e dynjasë dhe e ahiretit, vetëm se do t’i jepet atij. Kjo kohë është për çdo natë.”[34]

    Me një hadith tjetër: “Zbret Allahu i Madhërishëm për çdo natë në qiellin e dynjasë kur mbetet një e treta e fundit prej saj dhe thotë: “Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush kërkon prej Meje që t’i jap? Kush kërkon falje që ta fal atë?”[35]

    1. Për atë që dëshiron të zgjohet për t’u falur, pëlqehet që kjo vepër e tij të jetë e vazhdueshme dhe pa ndërprerje. Ai duhet t’i mendojë dhe krahasojë mirë rrethanat e tij që ta shohë se sa mund të falet gjatë natës, kështu që namazi i tij të jetë i vazhdueshëm dhe mos ta braktisë më asnjëherë deri në fund të jetës së tij, përveç në raste domosdoshmërie. Bile, kur është me takat më të fortë, të shtojë më shumë kurse, kur është me angazhime, të pakësojë nga namazi. Nëse i ikën namazi i natës, preferohet që ta kompensojë.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Veproni sa të mundeni, sepse Allahu nuk lodhet (duke ju shpërblyer) derisa ju nuk lodheni dhe mërziteni (të punoni). Vepra më e dashur tek Allahu është ajo që nuk ndalet, edhe nëse është e vogël.”[36]

    Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur e bënte një vepër të mirë, e përforconte atë (nuk e braktiste atë). Nëse nuk zgjohej natën ose sëmurej, namazin e natës e kompensonte gjatë ditës me faljen e dymbëdhjetë rekateve.”[37]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Atë që e zë gjumi dhe nuk zgjohet për ta lexuar pjesën e caktuar të Kuranit (që e lexon rregullisht), ose një pjesë të tij, pastaj atë e lexon në mes namazit të sabahut dhe namazit të drekës, i shkruhet atij sikurse ta ketë lexuar natën.”[38]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e porositi Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe i tha: “O Abdullah, mos u bëj si filani i cili ngrihej natën e pastaj e braktisi namazin e natës.”[39]

    1. Nga shkaqet që ndihmojnë të zgjohemi natën për namaz janë: nijeti dhe vendosmëria e prerë, gjumi i hershëm, mosteprimi me ushqim para gjumit, moslodhja e tepërt me punë të rënda të padobishme gjatë ditës, bërja gjumë pas namazit të drekës (kajlule), respektimi i etikës së gjumit, si: marrja e abdesit para gjumit, bërja e lutjeve të gjumit, rikujtimi i vlerës së namazit të natës dhe i atyre që falen natën për pozitën që e fitojnë tek Allahu, rikujtimi i armiqësisë së shejtanit kundrejt njeriut dhe përpjekja e tij që ta pengojë njeriun të zgjohet për namaz nate, leximi i historisë së lavdishme të të parëve tanë të ndershëm dhe njerëzve të mirë që e kishin në raport me namazin e natës.
    2. Namazi i teravive në fakt është namazi i natës në Ramazan. Është quajtur me këtë emër ‘teravi’ (fjalë arabe që d.m.th. pushim, rehati), sepse kur u grumbulluan herën e parë për ta falur në kohën e Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, pushonin disa çaste pas çdo dy rekateve, ose pas katër rekateve, për shkak se e zgjatnin namazin dhe lexonin gjatë Kuran në namaz.
    3. Namazi i teravive është sunet, e veproi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e vepruan sahabët, dhe pas tyre këtë traditë e vazhdoi umeti brez pas brezi.
    4. Shpërblimi për faljen e namazit të teravive është i madh dhe është shkak për faljen e gjynaheve. Vlera e tij vërtetohet edhe më shumë në dhjetëshin e fundit ku preferohet të falet që të kërkohet Nata e Kadrit.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush i fal teravitë me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[40]

    Me një hadith tjetër: “Kush ngrihet natën e Kadrit me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[41]

    “Me besim” d.m.th. me bindje të plotë që kjo është e vërtetë dhe adhurim dhe, se Allahu është Ai që e bëri të ligjshëm agjërimin dhe namazin e natës dhe nxiti për në ta.

    “Llogarit në shpërblimin e Allahut” d.m.th. e kërkon shpërblimin nga Allahu, prandaj me vullnet agjëron dhe falet natën dhe e shpreson shpërblimin e Allahut, me shpirtmirësi dhe kënaqësi në shpirt, nuk e llogarit të rëndë dhe të mundimshëm agjërimin dhe namazin e tij dhe ato i kryen me sinqeritet vetëm për Allahun.

    1. Ata që shkojnë në umre gjatë Ramazanit, është mirë të përkujdesen që mos t’u ikën namazi i natës dhe namazi i teravive në Qabe dhe në xhaminë e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Medine. Falja e namazit në këto dy xhami është e shumëfishuar.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Falja e namazit në xhaminë time është më e vlefshme se një mijë namaze në xhamitë e tjera, përveç namazit në Qabe. Falja e namazit në Qabe është më e vlefshme se njëqind mijë namaze në xhamitë e tjera.”[42]

    1. Dijetari Ibën Rexheb, Allahu e mëshiroftë, tha: “Në muajin Ramazan besimtari ballafaqohet me dy lloje të xhihadit (përpjekjes): xhihadit gjatë ditës me agjërim dhe xhihadit gjatë natës me namaz nate.

    Ai që i bashkon këto dy lloje të xhihadit (përpjekjes), ua jep hakun dhe bën durim në to, e merr shpërblimin e tij pa masë.”[43]

    1. Teravitë lejohet të falen në shtëpi, sepse janë sunet. Po ashtu lejohet të falen në xhami dhe falja e tyre me xhemat është më e vlefshme. Në këtë mënyrë myslimani e ndjek rrugën e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe të sahabëve.
    2. Namazi i gruas në shtëpi është më i vlefshëm se namazi i saj në xhami, qoftë sunet apo farz, teravi apo ndonjë namaz tjetër. Mirëpo nuk ka pengesë që ajo të shkojë në xhami me lejen e burrit të saj, me kusht që të mos dalë e zbukuruar dhe e parfumosur, të ketë siguri dhe të jetë e mbrojtur nga fitnetë.
    3. Grave u lejohet që të tubohen në një shtëpi për t’i falur teravitë. Njëra nga to del imam dhe u paraprin në namaz, ajo qëndron në mes të safit dhe nuk del përpara sikurse del imami te burrat. E ngre zërin në namaz sikurse e ngrisin zërin burrat në namazet me zë, por me kusht që zëri i saj të mos dëgjohet nga burrat përveç, nëse janë mahremat e saj.
    4. Falja e njëmbëdhjetë rekateve në namazin e teravive është më e mirë. Kështu vepronte Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, por nuk ka pengesë që numri i tyre të shtohet. Çështja është e gjerë dhe ka hapësirë të veprohet.
    5. Ajo që e veprojnë disa imamë në namazin e teravive, duke u falur shumë shpejt, është e kundërta e asaj që e kërkon sheriati.

    Nëse namazit i mungon qetësia dhe rehatia, rukuja dhe sexhdja kanë mangësi, atëherë namazi nuk pranohet.

    1. Ai që teravitë i fal në xhami, për të më e vlefshme është që t’i përfundojë bashkë me imamin dhe t’i shkruhet si të jetë falur tërë natën.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush i fal teravitë me imam derisa t’i përfundojë, i shkruhet atij si të jetë falur tërë natën.”[44]

    Nëse imamët ndërrohen në një xhami, njëri i fal disa rekate pastaj tjetri i vazhdon të tjerat, llogaritet si t’i kishte falur një imam.

    1. Pëlqehet që në fillim të çdo dy rekateve të teravive të lexohet duaja e hapjes së namazit[45], sepse çdo dy rekate janë namaz në vete dhe nuk lidhen me rekatet që falen para tyre. Lutja është e njëjtë, nuk dallon si në farz ashtu edhe në sunet.
    2. Nuk ka pengesë që imami të lexojë nga Mus’hafi në namazin e teravive kurse, nëse dikush nga xhemati e përcjell imamin me Mus’hafin në dorë, pa nevojë, më e mirë është të mos e bëjë këtë, sepse kjo i bëhet pengesë që të arrijë përuljen dhe t’i veprojë disa sunete të namazit.
    3. Nuk ka pengesë që të ketë më shumë se një imam dhe ata të ndërrohen, qoftë në Harem (Qabe) apo në xhamitë e tjera. Namazfalësi duhet t’u lidhet imamëve në namaz deri në fund, edhe pse ata ndërrohen në mes vete. Kur imamët janë më shumë në numër dhe ndërrohen për teravi, llogariten si të ishin një imam.[46]
    4. Kush dëshiron që vitrin ta falë në pjesën e fundit të natës, kur t’i falë teravitë me imamin, e bën nijetin që kur imami ta falë vitrin dhe të japë selam, të ngrihet vetë dhe ta falë edhe një rekat që numri i rekateve të jetë çift. Do të thotë që nuk e fal vitrin me imamin, por e fal atë vetë në pjesën e fundit të natës (edhe pse më e mira është që ta përfundojë namazin me imamin deri në fund).
    5. Ai që i fal teravitë dhe vitrin me imam, pastaj natën dëshiron që t’i falë edhe disa rekate shtesë, nuk është problem, mund të falet sa të dojë, nga dy rekate dhe vitrin nuk e përsërit.
    6. Kujt i ikën namazi i jacisë me xhemat, ndërkohë imami ka nisur t’i falë teravitë, i lejohet që t’i lidhet imamit me nijetin e jacisë. Kur imami jep selam pas dy rekateve, ai ngrihet i plotëson edhe dy rekate të tjera.
    7. Kujt i ikën namazi i teravive me xhemat, i lejohet t’i falë individualisht apo me xhemat tjetër.
    8. Falja e teravive në Qabe me imam është më e vlefshme sesa të bëhet tavaf vullnetar rreth Qabes në kohën e teravive; namazi i teravive e ka kohën e përkufizuar, me përfundimin e kohës përfundon edhe e falja e tyre, kurse tavafi mund të bëhet në çdo kohë.
    9. Kush është duke e bërë tavafin rreth Qabes dhe në atë kohë fillojnë teravitë, le ta përfundojë tavafin, sepse teravitë janë sunet; në krahasim me namazin farz, ku domosdo duhet të ndërpritet tavafi dhe të falet namazi, e pas faljes së namazit vazhdohet me tavafin aty ku është ndërprerë.
    10. Pëlqehet bërja e duasë së kunutit në namazin e vitrit. Imami dhe xhemati ligjërohet t’i ngrisin duart në lutjen e kunutit dhe t’i luten Allahut.
    11. Nuk ka ndalesë që të bëhet dua në teravi me rastin e përfundimit të hatmes së Kuranit. Në këtë rast imami e bën duanë në vitër, ndërsa xhemati e përcjellin atë duke thënë amin (o Zot, pranoje lutjen). Shumë nga të parët tanë të mirë përcillet që e kanë vepruar këtë.
    12. Falja e teravive fillon natën e parë të Ramazanit, me pamjen e hënës së re, pra nata që i paraprin ditës së parë të Ramazanit.
    13. Natën e Bajramit nuk falet namazi i teravive, sepse teravitë ligjërohen në Ramazan, e kur të vërtetohet që muaji ka përfunduar, teravitë nuk falen. Ndërsa ai që e ka pasur traditë të falë namaz nate jashtë Ramazanit, mund të falë namaz nate individualisht në shtëpinë e vet.
    14. Nuk lejohet që nata e Bajramit kundrejt netëve të tjera të veçohet me namaz nate, përveç atij që e ka pasur traditë të falë namaz nate jashtë Ramazanit, ai mund të ngrihet natën e Bajramit për t’u falur.

    Kurse hadithet që kanë ardhur për ngjalljen e natës së Bajramit me ibadet, nuk janë të vërteta dhe nuk mund të merren si argument.

     

    E lusim Allahun që të na e pranojë agjërimin, teravitë, leximin e Kuranit dhe të na ndihmojë në ibadetin ndaj Tij dhe të na bëjë nga fitimtarët e Ramazanit. Amin!

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Libri “Sezonet e adhurimit” ( i përkthyer në gjuhën shqipe)

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

    [1] Kijamul lejl dhe Et-Tehexhud janë fjalë arabe që për qëllim e kanë namazin e natës. (sh. p)

    [2] Shih: Lisanul Arab, Ibën Mendhur (3/432), El-Mexhmua, imam Neveviu (4/43).

    [3] Muslimi (1163).

    [4] Tirmidhiu (2527), shejh Albani hadithin e vlerësoi të mirë.

    [5] Tirmidhiu (2485), Ibën Maxhe (1234), shejh Albani e saktësoi në Es-Sahiha (569).

    [6] Sahih El-Buharij (1121), Muslimi (2479).

    [7] Sherh Sahih El-Buharij, Ibën Batali (3/111), Et-Teudih li sherh El-Xhami’ Es-Sahih, Ibën El-Mulekkin (9/27), Fet’hul Barij, Ibën Haxheri (3/6).

    [8] Hakimi (1/451), në zinxhirin e tij ka dobësi, shejh Albani e vlerësoi të mirë në El-Irva (452).

    [9] Ibën Hibani (2557), Ebu Davud (2536) Xhumletul Gazij, shejh Albani e vlerësoi të mirë në Talikat El-Hisan.

    [10] Mustedrek El-Hakim (2/448), Ed-Dur El-Menthur, Sujutij (11/696).

    [11] Hadij El-Ervah ila biladil Efrah (fq. 278).

    [12] Hakimi (1/451), në zinxhirin e tij ka dobësi, shejh Albani e vlerësoi të mirë në Sahih El-Xhami’ (73).

    [13] Ebu Davudi (1398), shejh Albani e saktësoi.

    [14] Muslimi (102).

    [15] Buhariu (7529), Muslimi (815).

    [16] Shih: Sherh En-Nevevij ala sahih Muslim (6/97).

    [17]  Buhariu (4836), Muslimi (2819).

    [18] Buhariu (1155).

    [19] Tirmidhiu (3579), Nesaiu (572), hadithi është në Sahih El-Xhami’ (1173).

    [20] Buhariu (1131), Muslimi (1159).

    [21] Buhariu (1145), Muslimi (758).

    [22] Buhariu (990), Muslimi (749).

    [23] Buhariu (1147), Muslimi (738).

    [24] Nesaiu (1784), shejh Albani e saktësoi.

    [25] Muslimi (756).

    [26] Shih: Mexhmual Fetava (23/69, 71).

    [27] Ebu Davudi (1308), Nesaiu (1601), Ibën Maxhe (1336), shejh Albani e saktësoi.

    [28] Ebu Davudi (1451), Ibën Maxhe (1335), shejh Albani e saktësoi.

    [29] Buhariu (512), Muslimi (744).

    [30] Esh-Sherh El-Mumti’, Ibën Uthejmin (4/60).

    [31] Buhariu (212), Muslimi (786).

    [32] Muslimi (787).

    [33] Buhariu (1150), Muslimi (784).

    [34] Muslimi (757).

    [35] Buhariu (1145), Muslimi (758).

    [36] Buhariu (5862), Muslimi (782).

    [37] Muslimi (746).

    [38] Muslimi (747).

    [39] Buhariu (1152), Muslimi (1159).

    [40] Buhariu (37), Muslimi (760).

    [41] Buhariu (2014), Muslimi (760).

    [42] Imam Ahmedi (14847), shejh Albani e saktësoi në El-Irva (971).

    [43] Letaif El-Mearif (fq. 171).

    [44] Ebu Davudi (1375), Tirmidhiu (806), Nesaiu (1364), Ibën Maxhe (1327), shejh Albani e saktësoi.

    [45] D.m.th. teravitë nëse i fal nga dy rekate, në fillim të çdo dy rekateve pëlqehet ta fillosh me ‘Subhaneke Allahume…’, pra, lutja e njohur që e bëjmë në fillim të namazit. (sh.p.)

    [46] Fetava Ibën Uthejmin (14/190).