Category: Probleme shpirtërore & shoqërore

  • QARTËSIMI I TEUHIDIT TË ADHURIMIT NËPËRMJET RITEVE TË HAXHIT

    QARTËSIMI I TEUHIDIT TË ADHURIMIT NËPËRMJET RITEVE TË HAXHIT

    O njerëz!

    Frikojuni Allahut dhe dijeni se qëllimi i krijimit tuaj nuk është tjetër përpos adhurimi i Tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë”. (Edh-Dharijat: 56)

    Allahu me këtë mesazh i porositi të gjitha krijesat: O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun”. (El-Bekare: 21-22)

    Adhurimi pa teuhid (njësim) i përngjanë namazit pa abdesë. Sikurse papastërtia që e prish abdesin ashtu shirku i vepruar nga ana e robit e shkatërron teuhidin. Allahu, azze ue xhel, për këtë shkak i drejtohet krijesës më të dashur duke i thënë: “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit”. (Ez-Zumer: 65)

    Shirku (politeizmi) është arsyeja kryesore për mospranimin e veprave dhe adhurimeve, prandaj urdhri për adhurimin e Allahut shumë herë vjen i shoqëruar me ndalesën prej shirkut, sikurse në thënien e Allahut, azze ue xhel: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim)”. (En-Nisa: 36) Ky ishte edhe mesazhi i të gjithë Profetëve drejtuar popujve të tyre: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! “. (El-A’raf: 59)

    O robër të Allahut!

    Allahu na e detyroi Haxhin, prandaj le të përsiatim në të, manifestimin e teuhidit dhe largimin prej shirkut, që të mbetet shembull praktik që do ta përpilojmë në të gjitha adhurimet tona.

    Në rend të parë nëse përsiatim themelimin e Qabes do të vërejmë se ajo është themeluar mbi teuhid, siç na njofton edhe Allahu, azze ue xhel: “Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qaben) për ata që e vizitojnë, që rrijnë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur”. (El-Bekare: 125)

    Allahu i urdhëroi ata të dy që ta pastrojnë Qabenë prej të gjitha papastërtive, e posaçërisht prej shirkut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Në të vërtetë, idhujtarët janë të papastër (për shkak të besimit të kotë), prandaj të mos i afrohen më Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti”. (Et-Teube: 28); “Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur”. (El-Haxh: 26)

    Kjo shtëpi pra, është themeluar mbi teuhid dhe detyrohet të mbetet ashtu deri në Ditën e Kiametit, nuk lejohet që t’i afrohet asnjë jobesimtar (mushrik) ose të depërton ndonjë lloj i shirkut përreth saj. Prandaj Profeti, salallahu alejhi ue selem, kur e çliroi Mekën hyri në Qabe dhe përreth saj i gjeti treqind e gjashtëdhjetë idhuj të cilët filloi t’i shkatërron dhe të përsërisë ajetin: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket!”. (El-Isra: 81) Pastaj urdhëroi që të nxirren prej Qabes dhe të digjen, ndërsa Profeti, salallahu alejhi ue selem, hyri në brendësinë e saj dhe filloi t’i fshin vizatimet e pikturuara në mure duke u bazuar në fjalën e Allahut: “Dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur”. (El-Haxh: 26)

    Qabeja është Kibla e muslimanëve, në të kryhet Haxhi dhe Umreja, është vendtakim i zemrave dhe trupave të tyre, prandaj detyrohet të jetë burim i teuhidit (njësimit) dhe i besimit të pastër ku do të adhurohet Allahu me sinqeritet, dhe të largohet prej saj çdo lloj i idhujtarisë dhe risive. Prandaj edhe erdhi urdhri që të kryhet Haxhi dhe Umreja vetëm se për Allahun: “Kryeni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut!” (El-Bekare: 196)

    O robër të Allahut!

    Prej manifestimeve të teuhidit të adhurimit në Haxh është ngritja e zërave pas veshjes së Ihramit duke iu përgjigjur ftesës së Haxhit vetëm se për hir të Allahut, dhe duke e publikuar njësimin e Tij në falënderim, begati e sundim: “Lebbejke Allahume Lebbejk, Lebbejke La sherike Leke Lebbejk, innel-Hamde ven-ni’ëmete leke vel-Mulk La sherike Lek” (Të përgjigjem o Zot, Ti je i pashoq, vetëm Ty të përgjigjem, falënderimi të takon vetëm Ty. Të gjitha begatitë dhe i tërë sundimi të takon Ty, Ti je i pashoq).

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është përmendja e Allahut në ditën e Arafatit me lutjen: “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul Hamdu ve Huve ala kul-li shejin Kadir” (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).

    Profeti, salallahu alejhi ue selem, thoshte: “Lutja më e mirë është ajo e ditës së Arafatit, ndërsa fjala më e mirë që e kam thënë unë dhe Profetët para meje “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul Hamdu ve Huve ala kul-li shej’in Kadir” (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).

    Kjo lutje është kumtesë e njësimit të adhurimit në këtë shoqëri madhështore dhe në këtë ditë të bekuar, dhe preferohet të shqiptohet sa më shpesh me qëllim që haxhiu ta kupton thelbin e saj dhe të vepron sipas asaj çka e aludon ajo, që në fund t’i kryen ritet e Haxhit me sinqeritet dhe t’i largohet çdo llojit të shirkut e risive.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është Tavafi përreth Qabesë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë”. (El-Haxh: 29)

    Tavafi përreth Qabes është i veçantë për të dhe nuk lejohet veprimi i tij ndokund tjetër në gjithë rruzullin tokësor. Haxhiu prej këtu e kupton se Tavafi përreth varreve, druve, gurëve e tyrbeve, nuk është adhurim i lejuar nga Allahu, por është adhurim i urdhëruar nga shejtanët qofshin ata njerëz apo xhinë.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është madhërimi i Allahut me puthjen dhe fërkimin e Gurit të Zi. Haxhiu e puth atë gur me bindje të thellë se është prej riteve të Haxhit dhe se me këtë vepër i nënshtrohet Allahut dhe Profetit të Tij. Mu për këtë arsye Omeri ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur e puthi Gurin e Zi tha: “Pasha Allahun, unë e di se ti je gur, nuk bën dobi e as dëm, dhe mos ta kisha parë Profetin, salallahu alejhi ue selem, duke të puthur asnjëherë nuk do të puthja”,

    Muslimani prej kësaj vepre e kupton se nuk lejohet puthja dhe fërkimi për bereqet të asnjë objekti apo guri, duke e përjashtuar këtu puthjen dhe fërkimin e Gurit të zi për arsye se kjo është prej riteve të Haxhit, ndërsa puthja dhe fërkimi i varreve, tyrbeve e druve për bereqet është prej veprave që e kundërshtojnë fenë e Allahut dhe nuk janë prej riteve të Tij.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është që haxhiu pasi ta kryen Tavafin t’i fal dy rekate pas Mekami Ibrahim duke u bazuar në thënien e Allahut, azze ue xhel,: “Kujtoni kur Ne e bëmë Qaben vendgrumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vend faljeje!”. (El-Bekare: 125)

    Preferohet që në rekatin e parë pas Fatihas të lexon suren el Kafirun, ndërsa në të dytin suren el Ihlas. Urtësia e leximit të këtyre dy sureve qëndron në faktin se ato në vete përmbajnë njësimin e Allahut me njohje dhe pohim (teuhid rububije) dhe njësimin e Allahut me adhurim (teuhid uluhije). Surja e parë përmban mospranimin e fesë së mushrikëve dhe njësimin e Allahut me adhurim, ndërsa surja e dytë përmban njësimin e Allahut me cilësitë e përkryera dhe dëlirjen e Tij prej cilësive të mangëta.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është saji (ecja) mes kodrinave të Safës dhe Meruas duke u bazuar në thënien e Allahut, azze ue xhel: “Kodrinat Safa dhe Merua (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s’ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre. Kush bën vepra të mira vullnetare, ta dijë se Allahu është njëmend Falënderues dhe i Gjithëdijshëm”. (El-Bekare: 158)

    Prej këtij riti të Haxhit muslimani mëson se saji nuk kryhet në vend tjetër përveç se në Safa dhe Merua, për arsye se këto janë rite të Haxhit, ndërsa saji i kryer në ndonjë vend tjetër është mashtrim i shejtanit dhe nuk është adhurim i Allahut.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është ajo çka e ligjësoi Allahu në ditën e Bajramit dhe në ditët e caktuara (të Teshrikut) prej përmendjes së Tij: “Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut)”. (El-Bekare: 203)

    Përmendja e Allahut në këto ditë qartësohet në veprat e mëdha që kryhen gjatë atyre ditëve duke filluar prej qëndrimit në Mina, pastaj gjuajtjes së gurëve, prerjes së Kurbanit, faljes së pesë kohërave të namazit në atë vend të bekuar dhe në ato ditë të bekuara. Muslimani kur i gjuan gurët thotë “Allahu Ekber (Allahu është më i madhi)”, e kjo është përmendje e Allahut, po ashtu kur e ther Kurbanin e përmend Allahun, ashtu siç na njofton Allahu në Kur’an: “Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim”. (El-Haxh: 34)

    Allahu, azze ue xhel, po ashtu thotë: “Devetë dhe gjedhët i kemi bërë për ju si një nga ritet e Allahut për flijim dhe ju keni dobi nga ato. Prandaj, përmendeni emrin e Allahut mbi ato, ndërsa i radhisni në këmbë (për t’i therur). Kur ato të bien në tokë, hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp. Kështu pra, Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të jeni mirënjohës. Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj, që ju ta madhëroni Allahun sepse ju ka udhëzuar. Dhe, jepu lajmin e mirë, punëdrejtëve!” (El-Haxh: 36-37)

    Muslimani prej këtyre ajeteve kupton se therja e Kurbanit është adhurim dhe se therja e saj nuk lejohet t’i kushtohet dikujt tjetër veç Allahut, se kjo është shirk.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është se Allahu i ka porositur haxhilerët që ta përmendin Atë shumë gjatë kryerjes së riteve të Allahut dhe pas përfundimit të saj. I ndaloi prej përmendjes së parive dhe njerëzve të mëdhenj me ndikim, të gjallë apo të vdekur, dhe i porositi që të mos krenohen me fise dhe gjenezë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur! Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër. Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)” Këtyre do t’u jepet shpërblim për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari. Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut). Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut. Ta keni frikë Allahun e ta dini mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni!” (El-Bekare: 198-203)

    Haxhi pra, nuk qenka thjesht një udhëtim vëzhgues e turistik dhe manifestim i riteve, por është përvojë dhe mësim praktik për besimin e pastër dhe largimin e besimeve të kota të kohës së injorancës.

     O ju që Allahu jua mundësoi ta kryeni Haxhin, e mësuat prej riteve të tij besimin e pastër dhe i vërejtët të tjerët qofshin prej vendit të juaj apo prej ndonjë vendi tjetër se kanë gabime që bien ndesh me besimin e pastër, mësojuani atyre besimin dhe përmirësoni gabimet e tyre për arsye se detyra e dijetarit është mësimi i të paditurit dhe mos harroni se ju jeni përgjegjës para Allahut i cili thotë: “Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut”. (Et-Teube: 122); “Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit”. (Ali Imran: 104)

    Besimtari pra, së pari shpreson në përmirësimin e vetes e pastaj në përmirësimin e të tjerëve. Profeti, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk ka besuar ndonjëri prej jush deri sa nuk e do për vëllain e tij musliman atë çka e donë për vetvete”.

    O robër të Allahut!

    Frikojuni Allahut, kujdesuni për fenë e juaj në përgjithësi dhe për besimin tuaj në veçanti, për shkak se ajo është baza dhe themeli. Kjo fe është e ndërtuar mbi dy parime: sinqeritetin në adhurim dhe pasimin e Profetit, salallahu alejhi ue selem, dhe këto dy parime nuk mund të njihen përveç se me përsiatje të Kur’anit dhe Sunetit dhe me pasimin e tyre.

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • DISA VEÇORI TË HAXHIT DHE KUSHTET E TIJ

    DISA VEÇORI TË HAXHIT DHE KUSHTET E TIJ

    Haxhi është një prej shtyllave të Islamit dhe bazament i tij i fortë. Allahu, azze ue xhel, thotë: Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt; dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd”. (Ali Imran: 96-97)

    Prej kuptimit të ajetit dijetarët kanë konstatuar se Haxhi është detyrim për çdo musliman dhe ai i cili e mohon këtë dispozitë është qafir me unanimitet të dijetarëve. Allahu, azze ue xhel, i drejtohet të dashurit të Tij Ibrahimit, alejhi selam, duke i thënë: “Thirri njerëzit për haxhillëk”. (El-Haxh: 27)

    Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Islami është i ngritur mbi pesë bazamente: Dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në Haxh, për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën”.

    Qëllimi i thënies “për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën”, është: kush ka ushqim të mjaftueshëm të merr me vete dhe t’i le familjes derisa të kthehet dhe të posedojë mjet transporti i cili do ta çojë deri në Qabe dhe do ta kthejë deri në vatanin e tij.

    Në ligjësimin e Haxhit gjejmë urtësi, dhe urtësinë e ligjësimit të saj na e qartëson Allahu, azze ue xhel, ku thotë: “Që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër! Pastaj, haxhinjtë le të pastrojnë trupin e tyre, le t’i kryejnë zotimet e tyre dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë”. (El-Haxh: 27-29)

    Dobia e Haxhit pra, i kthehet vetëm haxhiut e jo Allahut, azze ue xhel, për shkak se: “Allahu nuk ka nevojë për askënd”. (Ali Imran: 97) Ai nuk është nevojtarë për haxhilerë, por ata kanë nevojë për Atë.

    Urtësia e vonimit të detyrimit të Haxhit krahas namazit, zeqatit dhe agjërimit qëndron në faktin se namazi është shtylla e fesë e cila përsëritet çdo ditë e natë nga pesë herë, zeqati është shtyllë e cila përmendet shumë herë si shok i pa ndashëm i namazit, ndërsa agjërimi për shkak se përsëritet çdo vit. Haxhi është bërë i obliguar në Islam në vitin e nëntë sipas hixhretit, kurse Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, nuk e ka kryer Haxhin më shumë se një herë edhe atë në vitin e dhjetë sipas hixhretit, ndërsa gjatë jetës së tij i ka kryer katër Umre.

    Synimi i Haxhit dhe Umres është adhurimi i Allahut në ato vende ku i ka caktuar që të adhurohet. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Qëllimi i gjuajtjes së gurëve dhe sajit mes Safës dhe Merues nuk është tjetër veç se të përmendet Allahu, azze ue xhel”. 

    Haxhi pra, është obligim me unanimitet të muslimanëve dhe shtyllë prej shtyllave të Islamit. Është detyrim individual një herë në jetë për atë që ka mundësi dhe detyrim kolektiv i muslimanëve për çdo vit, ndërsa ai i cili shton më shumë se Haxhin e detyruar i llogaritet si vullnetar.

    Umreja po ashtu është obligative sipas mendimit të shumë dijetarëve dhe si argument e marrin hadithin e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, kur është pyetur se a ka xhihad për gratë? Përgjigjja e tij ka qenë: “Po, për gratë ka xhihad, mirëpo pa luftë: Haxhi dhe Umreja”.

    Pasi që është vërtetuar se Umreja për gratë është obligative, atëherë kjo dispozitë për burrat është edhe më e kërkuar. Një njeri e pyeti Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, për babanë e tij i cili ishte plak e i lodhur dhe nuk kishte mundësi të shkojë në Haxh e as në Umre. Përgjigjja e tij ishte: “Kryeje Haxhin dhe Umren në vend të tij”.

    Haxhi dhe Umreja janë detyrim i çdo muslimani një herë në jetë dhe duhet të shpejtojë në kryerjen e tyre sipas mundësive, ndërsa çdo vonesë pa arsye është mëkat. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thuhet të ketë thënë: “O ju njerëz, ju është bërë Haxhi obligim, prandaj kryeni”. – E pyeti njëri prej të pranishmëve: A çdo vit? – U përgjigj: “Po të kisha thënë se po, atëherë do t’ju bëhej obligim për çdo vit e ju nuk do të kishit mundësi ta përballoni”.

    Imam Ahmedi shënon një hadith ku Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Përshpejtoni në kryerjen e Haxhit se asnjëri prej jush nuk e din se çka do t’i ndodh në të ardhmen”.

    Kushtet e Haxhit janë pesë: Islami, mendja e shëndoshë, pjekuria, liria dhe mundësia. Kur plotësohen këto kushte obligohet përshpejtimi i kryerjes së tij.

    Haxhi dhe Umreja të bëra nga ana e fëmijës janë të pranuara mirëpo si vullnetare. Ibën Abasi, radijallahu anhu, na përcjell se një grua e ngriti fëmijën e saj dhe ia tregoi Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, dhe i tha: Për këtë fëmijë a ka Haxh? Iu përgjigj. “Po, Haxhi i tij është i pranuar (si vullnetar) dhe ti ke shpërblim”.

    Në mesin e dijetarëve ka unanimitet se Haxhi i fëmijës i kryer para moshës madhore nuk e zëvendëson Haxhin e obliguar (Haxhin e Islamit), por detyrohet që kur ta arrijë moshën madhore ta kryej edhe një herë në rast se ka mundësi. Kur fëmija është në moshën e papjekurisë, përgjegjësi i tij detyrohet që ta bën nijetin në vend të tij, gjatë kryerjes së tavafit dhe sajit dhe gjatë qëndrimit në Mina, Arafat dhe Muzdelife duhet ta shoqërojë, gurët t’i gjuajë në vend të tij dhe ta largojë prej të gjitha ndalesave të Haxhit. Në rast se fëmija është në moshën e pjekurisë nijetin e Haxhit e bën vet me lejen e përgjegjësit, ritet e Haxhit i kryen vet ndërsa ato rite të cilat nuk ka mundësi t’i kryej vet i kryen përgjegjësi i tij dhe detyrohet t’i largohet të gjitha ndalesave të Haxhit sikurse i moshuari.

    I aftë për kryerjen e Haxhit është ai i cili ka mundësi fizike e materiale, i përballon rrugës dhe mjetit të udhëtimit, i mjaftojnë të hollat gjatë shkuarjes dhe kthimit, po ashtu ka pasuri të mjaftueshme për anëtarët e familjes derisa të kthehet, rruga deri në Haxh është e sigurt për jetën dhe pasurinë e tij dhe nuk duhet të niset pa i larë borxhet (ose të merr leje prej borxhliut që të shkoj në Haxh) dhe të kërkon falje prej atyre që u ka bërë padrejtësi. Në rast se ka pasuri mirëpo fizikisht është i dobët për shkak pleqërisë apo sëmundjes prej të cilës nuk shpresohet shërim, detyrohet që ta dërgoj ndokënd që ta kryen Haxhin në vend të tij qoftë prej të njëjtit vend apo ndonjë vendi tjetër. Ibën Abasi, radijallahu anhu, na përcjell se një grua e pyeti Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, se babai i saj është plak i cili nuk e ka kryer Haxhin e detyruar dhe nuk mund t’i përballoj udhëtimit, a mund që ta kryej Haxhin në vend të tij? – Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, iu përgjigj: “Kryeje Haxhin në vend të tij”.

    Kusht për atë që e kryen Haxhin për ndonjë tjetër është ai ta ketë kryer Haxhin e Islamit për vete, duke u bazuar në atë që na e përcjell Ibën Abasi, radijallahu anhu, se ai e kishte dëgjuar një njeri të ketë thënë: “O Zot, i përgjigjëm ftesës Tënde për në Haxh në vend të Shubrimes”. – Ibën Abasi i tha: “A e kryer Haxhin për vete”? – Iu përgjigj: “Jo, nuk e kam kryer Haxhin e Islamit për vete”. – Ibën Abasi i tha: “Atëherë bëje së pari për vete e pastaj mundesh që ta bësh për ndonjë tjetër”.

    Zëvendësuesit (bedelit) duhet t’i jepen të holla për rrugë, për ushqim dhe për nevojat tjera që i nevojiten gjatë Haxhit, nuk lejohet qiraja për Haxh dhe nuk lejohet ta merr Haxhin si mjet për përfitim të hollave. Synimi i zëvendësuesit duhet të jetë dobia e atij vëllait musliman që e kryen Haxhin për të, pastaj vizita e vendeve të shenjta, vizita e Qabesë, kështu që Haxhi duhet të kryhet vetëm për Allah e jo për dynja. Nëse Haxhin e kryen për të holla, Haxhi i tij nuk është i pranuar dhe po ashtu nuk i pranohet edhe atij i cili e ka dërguar për në Haxh. Prandaj duhet te kemi kujdes se kë e dërgojmë si zëvendësim në Haxh, për shkak se Haxhi është adhurim ndërsa adhurimet nuk kryhen vetëm se për Allah.

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

  • PËRGATITJA PËR HAXH

    PËRGATITJA PËR HAXH

    O muslimanë!

    Frikojuni Allahut me frikërespekt të vërtetë, adhuroni Atë me përkushtim të sinqertë duke qenë në fenë e pastër, faleni namazin jepeni zeqatin se kjo është feja e drejtë.

    Këto ditë të bekuara muslimanët përgatiten për udhëtim kah Qabja për ta kryer Haxhin, disa prej tyre Haxhin e detyruar (Haxhin e Islamit) e disa prej tyre Haxhin vullnetar. Pa dyshim se ky udhëtim i gjatë disa ditësh kërkon prej haxhiut përgatitje materiale, fizike e shpirtërore, me qëllim që kjo pajisje t’i mjaftojë gjatë kohës së Haxhit dhe mos të varet prej të tjerëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria”. (El-Bekare: 197)

    Allahu, azze ue xhel, na urdhëroi me pajisje të mjaftueshme e cila përbëhet prej marrjes së ushqimit të mjaftueshëm me vete, lënia e ushqimit të mjaftueshëm për familjen derisa të kthehemi dhe posedimi i mjetit të transportit i cili na çon deri në Qabe dhe na kthen deri në vatanin tanë. Allahu, azze ue xhel, thotë: Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është detyrim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo”. (Ali Imran: 97)

    Më herët disa prej haxhilerëve kur niseshin për në Haxh nuk pajiseshin me mjetet e duhura që u nevojiteshin, kështu që rrugës jetonin në kurriz të të tjerëve duke u bërë barrë e parazit i tyre. Prandaj Allahu i ndaloi prej kësaj vepre dhe i urdhëroi ata që të pajisen me aq sa u mjafton që t’i largohen varësisë prej të tjerëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur! “. (El-Bekare: 197)

    Kur njerëzit paragjykonin se tregtia dhe përfitimet në sezonin e Haxhit janë të ndaluara Allahu, azze ue xhel, e zbriti ajetin: Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit). (El-Bekare: 198)

    Allahu në dy ajetet e lartpërmendura na bëri me dije se haxhiu duhet t’i merr dy llojet e furnizimeve, atë të udhëtimit për dunja me ushqim e me pije të mjaftueshme deri në fund të udhëtimit, atë të udhëtimit për ahiret duke vepruar vepra të mira dhe duke u larguar prej mëkateve. Allahu pastaj na e bëri me dije se tregtia dhe kërkimi i rrëskut të lejuar nuk bie ndesh me Haxhin dhe ritet e tij, në rast se ajo tregti nuk e preokupon dhe e largon haxhiun prej veprimit të adhurimeve. Kjo aspak nuk bie ndesh edhe me mbështetjen në Allahun (tevekulin), dhe nuk duhet harruar faktin se haxhiu është i detyruar që kur të niset për në Haxh t’i le familjes furnizim të mjaftueshëm derisa të kthehet dhe nuk lejohet që t’i le pa furnizim ose t’ua pakësojë atyre furnizimin për ta kryer Haxhin e tij. Në këtë rast haxhiu nuk ka shpërblim, por ka mëkat. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Mjafton si mëkat për dikë, nëse dëmton ata që duhet t’i ushqejë”.

    Haxhiu po ashtu duhet t’i pastrojë borxhet e tij që ua ka njerëzve. Në rast se nuk ka pasuri të mjaftueshme për shpenzimet e Haxhit dhe larjes së borxheve, i jepet përparësi larjes së borxheve dhe nuk lejohet që të shkojë në Haxh.

    Haxhiu po ashtu gjatë Haxhit duhet të shpenzojë pasurinë e tij të fituar hallall, që Haxhi i tij të pranohet dhe mëkatet t’i falen. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Vërtet Allahu është i mirë dhe nuk pranon përveç të mirës dhe vërtet Allahu u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve. Allahu, azze ue xhel, ka thënë: O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira! Vërtet, Unë e di mirë çfarë bëni ju!”. Dhe ka thënë: “O ju besimdrejtë, hani gjërat e mira me të cilat u kemi furnizuar”. Pastaj e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura, dhe i cili i shtriu duart e tij kah qielli: O Zot, o Zot! Kurse ushqimi i tij është haram, dhe pija e tij haram, dhe veshmbathja e tij haram, dhe është ushqyer me haram. E si do t’i pranohet lutja e tij!”

    Pasuria e shpenzuar për në Haxh në rast se është e fituar në mënyrë të lejuar atëherë bën pjesë në pasurinë që shpenzohet për në rrugë të Allahut. Allahu, azze ue xhel, thotë: Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira, Allahu me të vërtetë i do bamirësit”. (El-Bekare: 195) Një prej sahabëve e dhuroi devenë e tij për në rrugë të Allahut dhe një grua kur deshi ta përdor po të njëjtën deve për udhëtim për në Haxh i tha Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem:”Përdore atë për në Haxh, se Haxhi bën pjesë në rrugë të Allahut”.

    Një grup dijetarësh u argumentuan me këtë hadith se ai i cili nuk e ka kryer Haxhin e detyruar i lejohet që të merr prej të hollave të zeqatit dhe ta kryen këtë shtyllë të Islamit, se ai bën pjesë në grupin e atyre që u jepet zeqati: për (luftëtarët) në rrugë të Allahut”. (Et-Teube: 60)

    Haxhiu po ashtu detyrohet që të pendohet me sinqeritet prej të gjitha mëkateve, në rast se ka bërë padrejtësi kundrejt njerëzve të kërkojë falje prej tyre dhe t’ua kthejë hakun që ua ka marrë padrejtësisht. Po ashtu detyrohet që t’u largohet mëkateve dhe gjynaheve, të kujdeset për faljen e namazeve, t’i kryen të gjitha detyrimet dhe ta merr rrugën drejt shtëpisë së Allahut i penduar dhe i pastër prej padrejtësive ndaj robërve të Allahut. Haxhiu pra, nuk duhet që të hyjë në shtëpinë e Allahut i njollosur me mëkate ose t’i veprojë ato gjatë kohës së Haxhit. Allahu, azze ue xhel, thotë: Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje”. (El-Bekare: 197)

    Përcillet se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush kryen haxhin për Allahun dhe nuk kryen marrëdhënie seksuale (gjatë kohës sa është në Ihram) dhe nuk shkel dispozitat, kthehet nga Haxhi i pastër prej mëkateve sikur atë ditë kur e ka lindur nëna”. Kjo për haxhiun hap një faqe të re të jetës së tij, të pastër nga mëkatet dhe gjynahet.

    Haxhi konsiderohet i pranuar me bashkimin e dy çështjeve në të:

    Çështja e parë: Ardhja e njerëzve në Haxh me punë të mira, siç janë bamirësia ndaj njerëzve dhe sjellja e mirë. Kur u pyet Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, për bamirësinë, u përgjigj: “Bamirësia është moral i mirë”. Thuhet se udhëtimi e ka marr këtë emër për shkak se e zbulon dhe shpalos moralin e njerëzve.

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, në Musnedin e tij shënon një hadith prej Xhabir ibën Abdullahut, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit”. – Të pranishmit pyetën: Çka është bamirësia e Haxhit, o i Dërguar i Allahut? – U përgjigj: “Dhënia ushqim nevojtarit dhe përhapja e selamit”.

    Është pyetur Seid ibën Xhubejri, radijallahu anhu, se cili haxhi është më i miri? – Përgjigjja e tij ishte: “Ai i cili i ushqen të varfrit dhe e ndal gjuhën e tij prej mëkateve”.

    Në përgjithësi, njerëzit më të mirë janë ata të cilët i bëjnë dobi të tjerëve dhe bëjnë durim prej torturave të tyre, ashtu si i përshkroi Allahu të devotshmit në Kur’an: Të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit”. (Ali Imran: 134)

    Çështja e dytë: Një ndër veprimet më të mëdha të mirësisë në Haxh, është përmendja e shumtë e Allahut, azze ue xhel. Allahu urdhëroi në përmendjen e Tij të shumtë gjatë kryerjes së riteve të Haxhit, veçanërisht kur haxhiu është në gjendje të Ihramit, për shkak se pajisja më e mirë është ajo e devotshmërisë e cila i përmbledh në vete të gjitha karakteristikat e mirësisë.

    Haxhiu detyrohet që nijetin ta ketë të sinqertë për Allahun, synimi i tij prej Haxhit mos të jetë fitimi i autoritetit para njerëzve dhe në ambiciet e tij prej Haxhi mos të ketë aspiratë prej aspiratave të dynjasë. Allahu, azze ue xhel, thotë: Kryeni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut!(El-Bekare: 196)

    Haxhiu para se të udhëtojë duhet që t’i shkruajë porositë e amanetet, borxhet e tij dhe ato që i kanë borxh atij, për shkak se rruga është e gjatë dhe nuk dihet se çka mund të ndodh gjatë kohës së Haxhit, prandaj në rast se nuk kthehet i gjallë apo kthehet me vonesë, porositë i kryen familja e tij dhe i largohet faji atij.

    O robër të Allahut!

    Frikojuni Allahut dhe përgatituni për në Haxh ashtu si i ka hije. Plotësoni ritet e juaja, pastroni nijetin, bëhuni modest, silluni mirë me vëllezërit e juaj haxhilerë, mos i torturoni, mos i ofendoni dhe bëhuni të durueshëm në të gjitha vështirësitë e lodhjet e Haxhit, për shkak se Haxhi është prej xhihadit ndërsa xhihad pa mundime e lodhje nuk ka.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!”. (El-Bekare: 197)

    O muslimanë!

    Frikojuni Allahut dhe mos e ndërtoni fenë tuaj në një anë duke e shkatërruar anën tjetër. Disa njerëz Haxhit dhe Umres i kushtojnë rëndësi të veçantë e në anën tjetër i anashkalojnë shtyllat e tjera të Islamit. Aspak nuk kujdesen për përmirësimin e besimit i cili është bazament i fesë, prandaj i sheh se si i drejtohen me lutje të vdekurve dhe afrohen kah ata me lloje të ndryshme të adhurimeve ose e anashkalojnë faljen e namazit e cila është shtyllë e fesë ndërsa braktisja e saj është kufër dhe dalje prej fesë. Po ashtu nuk kujdesen për dhënien e zeqatit e cila është shtylla e tretë e Islamit, nuk e agjërojnë Ramazanin i cili u detyrua prej anës së Allahut për besimtarët dhe këtij lloji të njerëzve nuk i pranohet Haxhi e as Umreja, derisa nuk kujdesen për shtyllat e tjera të Islamit. Feja pra, nuk është vetëm se Haxh, Haxhi është pjesë e fesë dhe shtyllë prej shtyllave të Islamit.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “A e besoni një pjesë të librit, e tjetrën e mohoni. Si mund të jetë ndëshkimi ndaj atij që punon ashtu prej jush, pos poshtërim në jetën e kësaj bote, e në Ditën e Gjykimit ata hidhen në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju. Të tillë janë ata që e vlerësuan jetën e kësaj bote mbi botën tjetër, andaj atyre as nuk do t’u lehtësohet dënimi, e as që do të ndihmohen ata”. (El-Bekare: 85-86)

    Pas kryerjes së Haxhit, haxhiu detyrohet të përqendrohet në fe, t’i largohet mëkateve, të bëj vepra të mira, sepse se veprat shpërblehen sipas përfundimit. Dera e pendimit është e hapur derisa nuk vjen exheli, ndërsa ardhja e tij pritet çdo moment dhe nuk e di askush se ku dhe kur do të vdesë:Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë”. (Lukman: 34)

     

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • VEPRA TË MIRA ME RASTIN E DHJETË DITËVE TË DHULHIXHES

    VEPRA TË MIRA ME RASTIN E DHJETË DITËVE TË DHULHIXHES

    1. Namazi farz (i detyruar).
    2. Agjërimi vullnetar dhe agjërimi në ditën e Arafatit.

    3.Dhënia e sadakasë.

    1. Tehlili – shqiptimi i fjalës la ilahe il-lallah (nuk i takon askujt adhurimi me të drejtë, përveç Allahut).
    2. Tesbihi – shqiptimi i fjalës subhanallah (i Lartësuar qoftë Allahu).
    3. Tehmidi – shqiptimi i fjalës elhamdulilah (Falënderimi i takon Allahut).
    4. Tekbiri – shqiptimi i fjalës Allahu ekber (Allahu është më i Madhi).
    5. Shqiptimi i fjalës “la haule ue la kuvete il-la bilah” (nuk ka ndryshim e as forcë pa lejen dhe ndihmën e Allahut).
    6. Përsëritja e fjalëve të myezinit gjatë thirrjes së ezanit.
    7. Istigfari (kërkimfalja).
    8. Duaja.
    9. Dërgimi i salavateve për Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.
    10. Leximi i Kuranit.
    11. Meditimi dhe përsiatja e Kuranit.
    12. Nxënia përmendsh e Kuranit.
    13. Mësimi i Kuranit së bashku me dikë tjetër.
    14. Leximi i komentit të Kuranit.
    15. Të mësuarit e Kuranit të tjerëve, e në veçanti fëmijëve suren El-Fatiha.
    16. Pendimi dhe kthimi kah Allahu.
    17. Respektimi i prindërve.
    18. Respektimi i lidhjeve farefisnore.
    19. Mbajtja e lidhjeve me shokët e prindërve.
    20. Fisnikërimi i mysafirit.
    21. Përcjellja e mysafirit.
    22. Sjellja e mirë me fqinjët.
    23. Përhapja e selamit.
    24. Dhënia ushqim.
    25. Fjala e mirë.
    26. Falja e namazit të natës.
    27. Falja e suneteve revatib (të rregullta që falen para dhe pas farzit).
    28. Falja e namazit të Duhasë.
    29. Shqiptimi i dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes.
    30. Shqiptimi i dhikrit, që thuhet nëpër situata dhe gjendje të ndryshme.
    31. Fjetja me abdes.
    32. Guslli i xhumasë.
    33. Parfumosja për xhuma.
    34. Nisja më herët për në xhami për namazin e xhumasë.
    35. Afrimi afër imamit.
    36. Plotësimi i vendeve të zbrazëta.
    37. Plotësimi dhe rregullimi i safave.
    38. Buzëqeshja.
    39. Meditimi në shenjat e Allahut në kozmos.
    40. Përballimi i dhembjeve që t’i shkaktojnë myslimanët dhe durimi me ta.
    41. Sjellja e mirë me njerëzit.
    42. Butësia dhe mosngutja.
    43. Fytyrëqeshja.
    44. Përmbajtja e zemërimit dhe e hidhërimit.
    45. Realizimi i premtimit.
    46. Falja e namazit të pendimit (teubes).[1]
    47. Falja e dy rekateve pas marrjes së abdesit.
    48. Këshilla dhe udhëzime.
    49. Mësimi i të paditurit.
    50. Thirrja në të mirë.
    51. Ndalimi nga e keqja.
    52. Ndihma dhe mbështetja e atij që i është bërë padrejtësi.
    53. Ulja e shikimit.
    54. Vizita e vëllezërve myslimanë për hir të Allahut.
    55. Prezentimi në xhenaze (falja e namazit të të vdekurit dhe përcjellja e xhenazes).
    56. Ngushëllimi i familjes së të vdekurit.
    57. Vizita e të sëmurëve.
    58. Përgjigjja e ftesës së ftuesit.
    59. Ngushëllimi i të pikëlluarit.
    60. Pritja e namazit pas namazit.
    61. Prezentimi në mexhliset e dijes nëpër xhamia.
    62. Respektimi i dijetarëve.
    63. Kundërshtimi i dyshimeve.
    64. Përhapja e sunetit të Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.
    65. Dhënia e dhuratave.
    66. Përshëndetja e myslimanit për dore, duke kërkuar me të Fytyrën e Allahut.
    67. Respektimi i të moshuarve.
    68. Larja e borxhit.
    69. Dhënia borxh nevojtarit.
    70. Shtyrja e afatit të kthimit të borxhit atij, që ka vështirësi ta kthejë.
    71. Falja e borxhit ose lehtësimi i tij.
    72. Nxitimi në larjen e borxhit të atyre që nuk kanë mundësi t’i kthejnë borxhet si dhe larja e faturave të nevojtarëve.
    73. Ndërmjetësimi i drejtë dhe i mirë.
    74. Lehtësimi duke ia kthyer mallin e blerë atij, që e blen një mall dhe më pas dëshiron ta kthejë.
    75. Largimi i pengesave në rrugë.
    76. Toleranca në shitje dhe në blerje.
    77. Mbulimi i të metave të myslimanëve.
    78. Përkujdesja për jetimin.
    79. Përkujdesja për gratë e veja.
    80. Ndërtimi i xhamive.
    81. Udhëzimi për në hair dhe mirësi.
    82. Botimi i librave.
    83. Përhapja e dijes së dobishme nëpër rrjetet sociale dhe internet.
    84. Mësimi i tjetrit dhe dëgjimi i këshillave.
    85. Dhurimi i kafshës për të varfrin, që ta therë për kurban.
    86. Ndihma dhe lehtësimi i tjetrit për t’u martuar.
    87. Paqësimi në mes dy të armiqësuarve.
    88. Shoqërimi i njerëzve të mirë.
    89. Lënia e vakëfit.
    90. Kryerja e haxhit të pranuar.
    91. Dashuria për hir të Allahut.
    92. Falja.
    93. T’i ndihmosh një zanatliu ose t’ia mësosh një zanat një të padituri (i paditur e ka për qëllim atë që nuk ka asnjë zanat, që nga ai zanat të përfitojë), ta ushtrosh pa të holla ose t’ia mësosh punën.
    94. Futja e gëzimit në shpirtin e tjetrit.
    95. Dhënia ushqim të varfërve dhe të ngratëve.
    96. Fërkimi i kokës së jetimit.
    97. Përkujdesja për abdesin.
    98. Kujdesi për vajzat dhe motrat.
    99. Shpenzimi për gruan dhe fëmijët.
    100. Respektimi i burrit dhe nderimi i tij.
    101. Përkujdesja për shtëpinë (nga gruaja).
    102. Pastrimi i xhamive.
    103. T’u japësh ujë njerëzve.
    104. Mirënjohja dhe falënderimi i tjetrit për bamirësinë e bërë ndaj teje.
    105. Shpërblimi i atij, që të ka bërë mirë dhe lutja për të.
    106. Të qarët nga frika e Allahut.
    107. Të kërkosh nga Allahu, që të biesh dëshmor.
    108. Ulja bashkërisht për të ngrënë.
    109. Veshja e rrobave me ngjyrë të bardhë.
    110. Ngjyrosja e flokëve të thinjura (përveç ngjyrës së zezë, e cila nuk lejohet).
    111. Mbjellja e një peme me nijet të mirë.
    112. Kryerja e nevojave të myslimanëve.
    113. Kërkimfalja për myslimanët dhe myslimanet.
    114. Ruajtja e nderit të gruas.
    115. Llogaritja në shpërblimin e Allahut për bërjen e rukjes.
    116. Larja e xhenazes dhe qefinosja e saj, duke llogaritur në shpërblimin e Allahut.
    117. Përshpejtimi i iftarit.
    118. Vonimi i syfyrit.
    119. Përgëzimi i myslimanit për ndonjë begati.
    120. Të shkruarit e vasietit (testamentit) me të drejtë.
    121. Veshmbathja e myslimanit.
    122. Mbathja e këpucëve duke filluar me këmbën e djathtë.
    123. Zbathja e këpucëve duke filluar me këmbën e majtë.
    124. Pirja e ujit ulur.
    125. Rikujtimi i shehadetit (fjalës la ilahe il-lallah) atij që është në prag të vdekjes.
    126. Fillimi i çdo pune të hairit me emrin e Allahut (me Bismilah).
    127. Përkujdesja për ta përdorur misvakun.
    128. T’ia kthesh borxhin atij, që ia ke pasur borxh dhe ta shpërblesh për bamirësinë ndaj teje.[2]
    129. Falja e namazit të istihares.
    130. Sexhdeja e falënderimit.
    131. Ndryshimi i betimit për ndonjë dobi sheriatike, duke e shpaguar atë.
    132. Të ndihmuarit e familjes në shtëpi.
    133. Ecja për në xhami.
    134. Marrja e sutres për namaz.
    135. Zbukurimi i zërit gjatë leximit të Kuranit.
    136. Kërkimi i lejes për të hyrë brenda.
    137. Vendosja e dorës mbi gojë kur ndonjërit i hapet goja.
    138. Të ushqyerit e kafshëve për kurban dhe trashja e tyre.
    139. Qëndrimi në xhami pas faljes së namazit të sabahut e deri në lindjen e diellit.
    140. Dërgimi i kafshës për kurban në Meke, për atë që nuk shkon në haxh.
    141. Urdhërimi i familjes dhe i fëmijëve për ta falur namazin.
    142. Falja e dy rekateve, kur të hysh në shtëpi dhe dy rekate para se të dalësh nga shtëpia.
    143. Fërkimi i fytyrës me dorë, kur të ngrihemi nga gjumi për namaz nate dhe leximi i ajeteve të fundit të sures Ali Imran.
    144. Plotësimi i abdesit.
    145. Thënia e fjalës “Jerhamukallah” (Allahu të mëshiroftë), kur tjetri teshtin dhe thotë “Elhamdulilah” (Falënderimi i takon Allahut).
    146. Udhëzimi i nevojtarit duke ia treguar mënyrën se si të arrijë deri tek ajo që e kërkon.
    147. Shqiptimi i fjalës: “SubhaneMelikil-Kuddus” (I Lartësuar qoftë Allahu, Sunduesi, i Shenjti dhe i Pastri nga çdo e metë); tri herë pas namazit të vitrit (pasi të jepet selam).
    148. Bërja e gjumit me abdes.
    149. Shoqërimi i të vetmuarit.
    150. Strehimi i të huajit.
    151. Parfumosja e xhamive.
    152. Përkujdesja për familjen e haxhiut, derisa të jetë në haxhillëk, si dhe përkujdesja për familjarët e të burgosurve dhe të ngjashmit me ta.
    153. Shpërndarja dhe radhitja e Mus’hafave nëpër xhami.
    154. Përhapja e dijes nëpër faqe interneti, kanale televizive, satelitore dhe radio.
    155. Mbajtja e mësimeve, e ligjëratave dhe e seminareve shkencore.
    156. Falja e namazit të Kurban Bajramit.
    157. Huazimi i rrobave, arit për zbukurim, enëve, mjeteve elektronike dhe çdo gjëje të dobishme.
    158. Formimi dhe ngritja e shoqatave dhe e organizatave bamirëse.
    159. Marrja përsipër e harxhimeve të haxhiut.
    160. Shpenzimi për kërkuesit e dijes dhe përkujdesja për ta.
    161. Përgatitja e librave dhe e programeve për fëmijët e myslimanëve.
    162. Përcjellja e dijes me amanet: “Allahu ia ndriçoftë fytyrën atij që e dëgjon thënien time, e kupton atë, e mëson përmendsh dhe ua përcjell të tjerëve.”[3]
    163. Mbrojta e nderit të myslimanëve.
    164. Dëgjimi i Kuranit.
    165. Dhënia e shpërblimeve dhe nxitja e njerëzve për marrje të dijes dhe mirësi.
    166. Butësia dhe sjellja e mirë me fëmijët.
    167. Rikujtimi i të tjerëve në lidhje me afrimin e rasteve apo kohëve të hairit.
    168. Ruajtja e amaneteve dhe kthimi i tyre.
    169. Kurimi i të sëmurëve duke llogaritur në shpërblimin e Allahut.
    170. Bamirësia ndaj kafshëve dhe zogjve.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Pjesë nga libri Sezonet e adhurimit)

     

    [1]Namazi i pendimit është i ligjshëm dhe ka ardhur në sunet. Ebu Bekër Es-Sidiku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Nuk ka rob që bën mëkat, dhe më pas merr abdes si është më mirë dhe i fal dy rekate dhe kërkon falje nga Allahu, vetëm se Allahu t’ia fal atij. Më pas e lexoi ajetin: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Ali Imran: 153)”. Hadithin e shënon Ebu Davudi (1521), shejh Albani e vlerësoi të saktë në Sahih Ebu Davud. Për më tepër shih: https://islamqa.info/ar/98030 (sh.p.)

    [2]D.m.th. ia kthen borxhi dhe i jep diçka si dhuratë për bamirësinë ndaj teje, ndërsa, nëse ai që të jep borxh të kushtëzon që t’ia kthesh borxhin më tepër se sa t’i ka dhënë, kjo është kamatë dhe është e ndaluar, kurse nëse borxhliu nga vetja dëshiron ta shpërblejë pasi t’ia kthejë borxhin në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për bamirësinë ndaj tij, kjo lejohet. (sh.p).

     

    [3]Hadith, të cilin e përcjell Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe e shënojnë imam Tirmidhiu, Ibën Maxhe, Ahmedi, Ibën Hibani dhe të tjerët. (sh.p).

  • DHJETË DITËT E DHULHIXHES

    DHJETË DITËT E DHULHIXHES

    1. Allahu krijesat i dalloi ndërmjet tyre në vlerë dhe disa i ngriti në shkallë të larta karshi disa të tjerave. Nga ditët dhe muajt i favorizoi disa karshi të tjerëve: Dhjetë ditët e para të muajit Dhulhixhe janë ditët më të mira të dynjasë, dita e Kurban Bajramit është më e mira në mesin e tyre, dita e xhuma është dita më e mirë e javës, ndërsa nga netët: Dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë netët më të mira dhe nata e Kadrit është nata më e mirë në mesin e tyre.
    2. Gjatë ditëve të vitit përhapet aroma e mirësive dhe dhuntive të Allahut, të cilat ua dhuron robërve njësues të Tij. Në ato ditë bën pjesë dhjetëshi i parë i muajit Dhulhixhe, sezonë e madhe e adhurimit, të cilin besimtarët e presin me përmallim, që në shkallë të ngriten, mangësitë t’u plotësohen dhe ta kompensojnë atë që ju iku nga e mira dhe shpërblimi. Prandaj, le të përpiqemi të gjithë, që në këto ditë t’i shtojmë adhurimet dhe ta kërkojmë mëshirën e Allahut.
    3. Ditët më të mira të dynjasë, pa përjashtim, janë dhjetë ditët e Dhulhixhes. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Nuk ka ditë, ku vepra e mirë është më e dashur tek Allahu sesa një vepër e mirë, që bëhet gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes.” Dikush e pyeti: “As pjesëmarrja në luftë në rrugë të Allahut?!” Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u përgjigj: “As pjesëmarrja në luftë në rrugë të Allahut, përveç një burri, i cili del me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën.”[1] Në një transmetim tjetër: “Nuk ka vepër më me vlerë që bëhet në ndonjë ditë sikurse këto dhjetë ditë.”[2] Po ashtu në një transmetim tjetër: “Nuk ka vepër më të vlerësuar dhe me sevap më të madh, sesa një vepër e mirë që bëhet gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes.”[3]
    4. 4. Veprat e detyruara që kryhen në dhjetë ditët e Dhulhixhes kanë më shumë vlerë dhe shumëfishohen në shpërblim sesa veprat e detyruara që kryhen në ditët e tjera. Po ashtu veprat vullnetare që kryhen në dhjetë ditët e Dhulhixhes janë më të mira se veprat vullnetare që kryhen në ditë të tjera, dhe ato (veprat vullnetare) nuk janë më të mira se veprat e detyruara (farzet) që kryhen jashtë dhjetë ditëve të Dhulhixhes. [4]
    5. Namazi në këto ditë ka vlerë më të madhe se namazi që kryhet gjatë ditëve të tjera të vitit, njësoj edhe agjërimi, leximi i Kuranit, dhikri (të përmendurit e Allahut), duaja, përulja para Allahut, respektimi i prindërve, mbajtja e lidhjeve farefisnore, kryerja e nevojave të njerëzve, vizita e të sëmurëve, përcjellja e xhenazeve, bamirësia ndaj fqinjit, dhënia e ushqimit, veprat që dobia e tyre është me karakter kalimtar deri te të tjerët, dhe kështu me radhë.
    6. Vlera e dhjetë ditëve të Dhulhixhes dhe vepra në to e përfshijnë edhe ditën edhe natën e saj, por dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më të mira se dhjetë netët e Dhulhixhes, sepse aty përfshihet nata e Kadrit, kurse dhjetë ditët e Dhulhixhes janë më të mira se dhjetë ditët e Ramazanit, sepse aty përfshihet dita e Kurban Bajramit, dita e Arafatit dhe dita e Tervijes (dita e Tetë e Dhulhixhes)[5].[6]
    7. Në dhjetë ditët e Dhulhixhes grumbullohen adhurime të mëdha që nuk grumbullohen në asnjë sezonë tjetër dhe ato janë: haxhi, therja e kurbanit, gjithashtu namazi, agjërimi dhe lëmosha.[7]
    8. Nga vlera e dhjetë ditëve: Allahu u betua në netët e saj të vlefshme. Allahu thotë: “Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhulhixhe)!” (El-Fexhr: 1-2). Dhjetë netët e përmendura për qëllim janë dhjetë ditët e Dhulhixhes, sipas mendimit të shumicës së komentuesve të Kuranit, nga të parët tanë dhe të vonshmit.[8]
    9. Nga vlera e dhjetë ditëve: ato janë ditë të caktuara dhe të bereqetshme, ku në to Allahu ligjëroi të përmendet emri i Allahut mbi kafshët e tyre që theren për kurban, ashtu siç Allahu thotë: “… që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe ta përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai.” (El-Haxh: 28); ditët e caktuara që përmenden janë dhjetë ditët e para të Dhulhixhes, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve dhe komentuesve të Kuranit.[9]
    10. Dhjetë ditët janë “fundi i muajve të caktuar gjegjësisht muajve të haxhit për të cilat Allahu tha: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar.” (El-Bekare: 197) Muajt e haxhit janë: muaji Sheval, Dhulkade dhe dhjetë ditët e para të Dhulhixhes, siç përcillet nga shumica e sahabëve, si: Omeri dhe i biri i tij Abdullahu, Aliu, Ibën Mesudi, Ibën Abasi, Ibën Zubejri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, dhe të tjerë, dhe ky është edhe mendimi i shumicës së tabi’inëve.[10]
    11. Nga vlera e dhjetë ditëve: në to bie dita e Arafatit. Në këtë ditë Allahu e përsosi fenë dhe e plotësoi dhuntinë mbi myslimanët, siç Allahu thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El-Maide: 3)
    12. Nga vlera e dhjetë ditëve: në to bie Dita e Kurban Bajramit, që njihet edhe si Dita e Haxhit të Madh. Kjo ditë është dita më e madhe tek Allahu, ashtu siç erdhi në hadith: “Dita më e mirë te Allahu është Dita e Kurban Bajramit, e më pas dita (e freskët)[11] , që vjen pas saj.”[12]
    13. Vepra e mirë në këto dhjetë ditë është më e mirë se në ditët tjera të vitit për shkak të vlerës së kohës, për ata që nuk janë në haxh, kurse për haxhilerët, për shkak të vlerës së kohës dhe vendit.
    14. Të parët tanë të mirë, Allahu i mëshiroftë, përkujdeseshin tepër që në dhjetë ditët të jepnin maksimumin e përpjekjes së tyre në adhurime të ndryshme dhe madhështimi i këtyre ditëve e arrinte kulmin te ta.

    Seid ibën Xhubejr, Allahu e mëshiroftë, kur vinin dhjetët ditët e Dhulhixhes, aq shumë përpiqej në adhurime, saqë më nuk mund të shtonte diçka nga to. Ai nxiste për në namaz nate gjatë dhjetë netëve të para të Dhulhixhes dhe thoshte: “Mos i fikni llambat tuaja gjatë dhjetë netëve të Dhulhixhes.”[13]

    Ebu Othman en-Nehdij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Të parët tanë i madhështonin tri dhjetëshe: dhjetëshin e fundit të Ramazanit, dhjetëshin e parë të Dhulhixhes dhe dhjetëshin e parë të Muharremit.”

    1. Myslimani duhet të përshpejtojë që ditët dhe netët e dhjetëshit të parë të Dhulhixhes t’i shfrytëzojë në adhurim e vepra të mira dhe ta plotësojë kohën me nënshtrime dhe vepra që e afrojnë tek Allahu.

    Është për t’u çuditur me ne, nëse gjatë Ramazanit jemi aktivë dhe përpiqemi për adhurime dhe vepra të mira, e më pas në këto ditë të na kaplojë dembelia dhe plogështia, edhe pse ditët e saj janë më të mëdha në vlerë se të Ramazanit dhe vepra në to është më e dashur dhe më e mirë tek Allahu.

    1. Dy herë kujdes, që këto ditë kohën ta harxhosh në gjumë, thashetheme, në përcjelljen e kanaleve televizive të ndaluara dhe në rrjetet sociale, sepse kjo sezonë është thesar dhe mundësi që nuk paguhet.
    2. Vepra më e mirë e dhjetë ditëve të Dhulhixhes është haxhi i pranuar dhe “Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër pos Xhenetit”[14]; kjo, sidomos, nëse e kryen haxhin e detyruar, “dhe atë e kryen në mënyrën më të plotë nga llojet e mirësisë, duke i zbatuar urdhëresat dhe duke u larguar nga ndalesat, dhe duke ia shtuar kryerjes së haxhit bamirësinë ndaj njerëzve, si përshëndetjen me selam dhe dhënien e ushqimit, dhe duke e shtuar edhe të përmendurit e Allahut, me rritjen e zërit me tekbire, dhe therjen e kurbanit.”[15]
    3. Në këto ditë pëlqehet të shpeshtohet të përmendurit e Allahut, në çdo kohë dhe në të gjitha gjendjet: në këmbë, ulur apo i shtrirë, i hipur në mjet apo duke ecur.
    4. Pëlqehet të shpeshtohet me tehlil (la ilahe il-lallah), tekbir (Allahu ekber) dhe tehmid (elhamdulilah). Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Shpeshtojeni këto ditë tehlilin (la ilahe il-lallah), tekbirin (Allahu ekber), dhe tehmidin (elhamdulilah).”[16]

    Allahu për haxhilerët që e vizitojnë Qabenë tha: “… që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai.” (El-Haxh: 28)

    1. Shqiptimi i tekbirit (Allahu ekber) së bashku me tesbihin (subhanallah), tehmidin (elhamdulilah) dhe tehlilin (la ilahe il-lallah) janë vepra të mira që mbeten përherë, shkak për mbjelljen e pemëve në Xhenet dhe fjalët më të dashura tek Allahu, dhe më të dashura te Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se çdo gjë mbi të cilën lind dielli (dynjaja dhe çfarë ka në të). Këto ditë është mirë të ngritet zëri me të përmendurit e Allahut, në këmbë, ulur, të hipur në mjet apo duke ecur, në shtëpi dhe rrugë, nëpër xhami dhe rrugica, tregje dhe vende pune.
    2. Ata që njihen për shëmbëlltyrë të mirë në shoqëri dhe myslimanët në përgjithësi duhet ta ngritin zërin me tekbir nëpër xhami, qarqe dhe shtëpi, si dhe nuk ka pengesë, nëse ajo përçohet edhe me mjete të ndryshme që e përçojnë zërin deri në vende të ndryshme (si shembull: zmadhues zëri).
    3. Abdullah ibën Omeri dhe Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, në dhjetë ditët dilnin në treg bënin tekbir dhe njerëzit bënin tekbir me tekbiret e tyre.

    Një nga tabi’inët, Mejmun ibën Mehran, Allahu e mëshiroftë, tha: “Në dhjetë ditët e Dhulhixhes pashë njerëz që aq shumë bënin tekbir, saqë tekbirin e tyre e shëmbëlleva me dallgët.”

    1. Me tekbir gjatë dhjetë ditëve sjellim përgëzimin e afrimit të ndihmës së Allahut. Me tekbir u çlirua Hajberi dhe do të çlirohen edhe të tjerat dhe do të mposhten armiqtë, me lejen e Allahut.
    2. Tekbiri është dy llojesh: tekbir i papërcaktuar dhe i përcaktuar.

    Tekbiri i papërcaktuar është ai që bëhet gjatë dhjetë ditëve dhe përfundon me përfundimin e ditës së fundit të Teshrikut (dita e katërt e Kurban Bajramit). Shqiptohet në çdo kohë, gjendje dhe vend dhe në çdo situatë, ku lejohet të përmendurit e Allahut dhe myslimani e vepron haptazi dhe me zë ë lartë. Allahu thotë: “… që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe ta përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai.” (El-Haxh: 28)

    1. Tekbiri i përcaktuar bëhet pas namazeve farz dhe fillon nga mëngjesi i ditës së Arafatit, për atë që nuk është në haxh, kurse për haxhilerët fillon nga dreka e ditës së Kurban Bajramit dhe përfundon pas namazit të ikindisë në ditën e tretë të Teshrikut.
    2. Bazë në përcaktimin e kohës së tekbirit të papërcaktuar dhe të përcaktuar janë argumentet dhe gjurmët që kanë ardhur nga shokët e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe nga të parët tanë të mirë.

    Prej formave më të njohura të tekbirit që përcillen prej të parëve tanë: “Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahil hamd.”

    Ka edhe forma të tjera të tekbirit[17] dhe në këtë çështje ka hapësirë për të vepruar.

    1. Pëlqehet agjërimi i nëntë ditëve të Dhulhixhes apo sa të mundet nga këto ditë, ndërsa për vlerën e agjërimit të këtyre ditëve është transmetuar në disa hadithe dhe është vërtetuar prej disa të parëve tanë.

    Agjërimi i shlyen mëkatet, është mburojë nga zjarri i Xhehenemit dhe mëkateve. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, do t’ia largojë Allahu fytyrën e tij nga zjarri i Xhehenemit për shtatëdhjetë pranvera.”[18]

    1. Agjërimi i ditës së Arafatit për atë që nuk është në haxh është traditë profetike dhe thesar i madh. Agjërimi i saj i shlyen mëkatet e dy viteve: “Agjërimi i ditës së Arafatit, shpresoj dhe llogaris në Allahun t`i falë mëkatet e vitit që kaloi dhe atij që vjen pas tij.”[19]
    2. Më e mira dhe më e plota në agjërimin vullnetar të përcaktuar, siç është rasti me ditën e Arafatit, është që nijeti i agjërimit të bëhet natën në syfyr, që shpërblimi të jetë i plotë dhe jo i mangët.
    3. Është mirë të nxitet familja, fëmijët dhe ata që i kemi nën përgjegjësi, që ta agjërojnë ditën e Arafatit. Seid ibën Xhubejr, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Zgjoni shërbëtorët tuaj në syfyr për ta agjëruar ditën e Arafatit.”
    4. Përkujdesu për gjynahet e tua që të perëndojnë (falen dhe shlyen) ditën e Arafatit me perëndimin e diellit të asaj dite.
    5. Nga tregtia fitimprurëse në këto dhjetë ditë është përfundimi i leximit të Kuranit, me meditim dhe kuptim. Për çdo shkronjë të lexuar Allahu shpërblen me një të mirë dhe ajo shtohet deri në dhjetë, kurse gjatë këtyre ditëve shumëfishimi është i vërtetuar krahas ditëve të tjera.
    6. Namazi më i mirë pas atij të detyruar është namazi i natës[20], andaj myslimani përpjekjen e tij për namaz nate nuk duhet ta përkufizojë me netët e Ramazanit, por të mundohet që edhe gjatë këtyre ditëve të falë namaz nate.
    7. Përpiqu në këto ditë të kesh hise nga fjala e Allahut: “… që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.” (Ali Imran: 17), dhe nga fjala e Allahut “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18). Kjo kohë, pjesa e tretë e natës, është koha kur zbret Allahu dhe pranohet kërkimi i faljes dhe pranohet lutja dhe ai që kërkon diçka nga Allahu i jepet atij. O Zot mos na privo nga mirësitë dhe dhuntitë e tua.
    8. Lëmosha është një nga adhurimet e mëdha. Ajo është dëshmi dhe argument i imanit të sinqertë, si dhe ajo e fut nën hijen e saj ditën e Kiametit sadakadhënësin. Lëmosha ruan nga përfundimi keq, i shlyen mëkatet, e fik zemërimin e Allahut, është shkak për bereqet në pasuri dhe shtim në risk dhe Allahu ia kompenson pasurinë sadakadhënësit. Nëse jepet gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes ka më shumë vlerë se kur jepet gjatë ditëve të tjera.
    9. Nga veprat më të dashura te Allahu është gëzimi që fut në zemrën e myslimanit, qoftë me vizitë apo lëmoshë apo me kryerjen e ndonjë nevoje të tij, e vallë sa më e dashur do të jetë te Allahu nëse ajo veprohet gjatë këtyre dhjetë ditëve?
    10. Nga mirësia është interesimi për familjarët e atyre që shkojnë në haxh, bamirësia ndaj tyre dhe përkujdesja për fëmijët e tyre. Andaj “Ai që përgatit dikë të shkojë në haxh apo përkujdeset për familjen e tij pasi të niset për në haxh, është njësoj në shpërblim si haxhiu pa iu pakësuar nga shpërblimi i haxhiut fare.”[21]
    11. Nga adhurimet e mëdha në këto dhjetë ditë është namazi i Kurban Bajramit dhe afrimi tek Allahu me therjen e kurbanit pasi të falet namazi. Të dy adhurimet janë nga traditat e udhëzimit. Allahu thotë: “Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!” (El-Keuther: 2)
    12. Ai që dëshiron të therë kurban, duhet të mos i shkurtojë qimet e trupit dhe thonjtë gjatë këtyre dhjetë ditëve. Ky adhurim fillon me perëndimin e diellit të ditës së fundit të muajit Dhulkade. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kur ta shihni hënën e Dhulhixhes dhe ndonjëri nga ju dëshiron të therë kurban, le të abstenojë nga shkurtimi i qimeve të tij dhe thonjve të tij.” Në një transmetim tjetër shtoi: “Derisa ta therë kurbanin.”[22]
    13. Ai që mëson se çfarë kërkon, i vjen më lehtë atij të flijojë dhe shpenzojë. Me të vërtetë, malli i Allahu është i shtrenjtë, me të vërtetë, malli i Allahut është Xheneti. Andaj të nxitojmë për në vepra të mira, të pendohemi tek Allahu sinqerisht me braktisjen e mëkateve apo gjynaheve, të ndiejmë keqardhje për atë që e kemi bërë dhe të jemi të vendosur që mos t’i kthehemi më, e nëse mëkati ka të bëjë me hakun e njerëzve atëherë duhet që t’i kthehet haku atij që i është bërë padrejtësi. Pra, këto dhjetë ditë le të jenë një fillim i ri i besëlidhjes me Allahun: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj.” (Et-Tehrim: 8)
    14. Nga mençuria e myslimanit është që gjatë këtyre dhjetë ditëve të bashkojë në mes adhurimeve me karakter jotejkalues (që përfiton vetëm ai vetë) si dhikri, namazi, etj. dhe adhurimeve dhe veprave të mira me karakter tejkalues (që përfitojnë edhe të tjerët përveç vetes), që kështu dobia e tij të shtohet dhe shpërblimet t’i shumëfishohen.
    15. Vepra e mirë si dhe largimi nga mëkatet gjatë këtyre dhjetë ditëve, myslimanin e edukojnë në madhështimin e riteve të Allahut dhe ruajtjen e kufijve të Tij. Këto dhjetë ditë janë pjesë e muajit të shenjtë, ndërsa Allahu për muajt e shenjtë thotë: “Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj!” (Et-Teube: 36); dhe thotë: “Ndërsa kush i madhëron shenjat e fesë së Allahut, e tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (El-Haxh: 32); dhe thotë: “Për atë që i nderon ritet e shenjta të Allahut, do të jetë më mirë te Zoti i tij.” (El-Haxh: 30)
    16. Vepra e mirë, pajisja me adhurime dhe mirësi, shfrytëzimi i kësaj sezone e cila nuk përsëritet dy herë brenda një viti, është edukata më e mirë për shpirtin në adhurimin e Allahut dhe shtimin e imanit, dhe njëkohësisht nxitje për të vepruar dhe për të mos u ndalur gjatë tërë vitit.
    17. Gratë tona dhe fëmijët tanë janë amaneti që e bartim mbi supet tona. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Të gjithë ju jeni barinj dhe përgjegjës për kopenë tuaj.”[23]

    Andaj të përpiqemi t’i edukojmë fëmijët në madhështimin e këtyre dhjetë ditëve, t’i stimulojmë për adhurime në to dhe t’i stërvitim në adhurime, t’ua qartësojmë vlerën e dhjetë ditëve para se të vijë muaji Dhulhixhe dhe të kenë hapësirë të përgatiten, kurse ne të bëhemi shëmbëlltyrë praktike për ta në madhështimin e këtyre ditëve.

    Thesar është të shfrytëzohen këto ditë dhe vepër është të veprohet para se të vijë exheli.

     

    E lus Allahun të na japë suksese neve dhe myslimanëve kudo që janë, në shfrytëzimin e sezonave të mirësive, të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin e mirë të Tij.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Pjesë e librit Sezonet e adhurimit)

     

    [1] Buhariu (969), Tirmidhiu (757).

    [2] Buhariu (969) (sh.p)

    [3] Sahih et-Tergib ue et-Terhib, shejh Albani (1148), hadithin e vlerësoi shejh Albani si të mirë (sh.p.)

    [4] Fet’hul Barij, Ibën Rexheb (9/15).

    [5] Dita e Tervijes është dita e Tetë e Dhulhixhes, kur haxhilerët preferohet të shkojnë për në Mina dhe të parapërgatiten për ditën e Arafatit dhe qëndrimin në të. (sh.p.)

    [6] Mexhmua el Fetava (25/287), Bedaiul Fevaid, Ibën el Kajim (3/162), Zadul Mead, Ibën el Kajim (1/57), Tefsir Ibën Kethir (5/416).

    [7] Fet’hul Barij, Ibën Haxher (2/460).

    [8] Shih: Tefsir Ibën Kethir (8/390), Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq. 268).

    [9] Shih: Tefsir el Bagavij (5/379), Tefsir Ibën Kethir (5/415), Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq. 263).

    [10] Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq. 269).

    [11]. Ebu Davudi (1765), shejh Albani hadithin e vlerësoi si të saktësoi.

    [12] Dita e freskët është dita që vjen pas ditës së Kurban Bajramit, e ka marrë këtë emër për shkak se njerëzit freskohen dhe pushojnë në Mina, pasi ta kenë kryer tavafin ifades dhe e kanë therur kurbanin. (sh.a.)

    [13] Me qëllim që të rrinë zgjuar për adhurim. (sh.p.)

    [14] Buhariu (1773), Muslimi (1349).

    [15] Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq. 264), Fet’hul Barij, Ibën Rexheb (14/9).

    [16] Imam Ahmedi (5446), kontrolluesit e haditheve të Musnedit të imam Ahmedit hadithin vlerësuan si të saktë.

    [17] Buhariu (2840), Muslimi (1153).

    [18] ‘‘Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahi elhamd.’’ Prej formave të tjera që përcillen është edhe: ‘‘Allahu ekber kebiren, Allahu ekber kebiren, Allahu ekber ue exhel’l, Allahu ekber ue lilahi el hamd’’ Dhe disa në fund e shtuan edhe shtojcën: ‘’Allahu ekberu ala ma hadana’’ (sh.p)

    [19] Muslimi (1162).

    [20] Muslimi (1163).

    [21] Ibën Huzejme në “Sahih Ibën Huzejme” (1930), shejh Albani e vlerësoi si të saktë.

    [22] Muslimi (1977)

    [23] Buhariu (2409), Muslimi (1829).

  • HARAMET QË NDIKOJNË NË VËLLAZËRI

    HARAMET QË NDIKOJNË NË VËLLAZËRI

    Allahu, azze ue xhel, e dërgoi Muhamedin, salallahu alejhi ue selem, mëshirë për të gjithë, për njerëzit dhe xhinët. U dërgua t’i bashkojë zemrat e besimtarëve në besim, t’i pastrojë shpirtrat e tyre prej armiqësie, të largojë prej zemrave të tyre çdo gjë e cila i çon deri në urrejtje dhe që ata të bëhen vëllezër që duhen për hir të Allahut.

    Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, na përcjellin në librat e tyre se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Hiqeni prej vetes dyshimin (paramendimin e keq dhe rezultatin e tij), ngase ai është veti nga më të këqijat. Mos u bëni kureshtar (i dhënë pas lajmeve dhe ngjarjeve), mos u merrni me të metat e të tjerëve (as kur këto i mbani në vete e as kur ato doni t’i publikoni), mos keni zili njëri-tjetrin, mos garoni me njëri-tjetrin në shitblerje (me ambicie të sëmura), mos u urreni, mos ia ktheni njëri-tjetrit shpinën dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër. Muslimani është vëlla i muslimanit. Kjo do të thotë se ai nuk i bën dëm dhe nuk i hyn në hak, nuk e lë pa ndihmë (në baltë), dhe nuk e nënçmon. Devotshmëria (takvallëku) është këtu (me dorë tregoi nga vendi i zemrës tri herë). Është shumë e keqe për një njeri kur ai poshtëron vëllain e tij musliman. Çdo musliman kundruall çdo muslimani e ka haram: gjakun e tij, pasurinë e tij dhe nderin e tij.”

    Ky hadith i përfshin njëmbëdhjetë ndalesa të cilat ndikojnë në pastrimin e zemrave dhe në largimin e kontradiktave dhe urrejtjeve, në rast se muslimani i vepron.

    Thënia e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem: Hiqeni prej vetes dyshimin ngase ai është veti nga më të këqijat” ka për qëllim shpifjen e cila bëhet pa asnjë shkak dhe nuk i përshtatet realitetit. Ky lloj dyshimi është i keq, i kotë dhe është mëkat.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vërtet, disa dyshime janë gjynah.” (El-Huxhurat: 12); “Në të vërtetë, hamendja nuk e zëvendëson aspak të vërtetën.” (Junus: 36)

    Prandaj muslimani duhet të jetë i kujdesshëm prej supozimeve të këqija dhe të ketë mendim të mirë për vëllain e tij musliman.

    Omeri, radijallahu anhu, thoshte: “Ke mendim të mirë për çdo fjalë që del prej gojës së vëllait tënd musliman, duke qenë i bazuar në mirësinë e saj.”

    Seid ibën Musejeb, radijallahu anhu, thoshte: “Më porositën disa vëllezër muslimanë që të kem mendim të mirë për vëllain tim musliman, derisa të del në shesh e kundërta.

    Thënia “Mos u bëni kureshtar” e ka për qëllim dëgjimin e thashethemeve të njerëzve, ndërsa fjala “mos u merrni me të metat e të tjerëve” e ka për qëllim hulumtimin e të metave dhe zbulimin e çështjeve të brendshme.

    El Hatabi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kuptimi i saj është mos hulumto të metat e njerëzve dhe mos i përcjell ato.”

    Fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem: “mos keni zili njëri me tjetrin” ka për qëllim mos keni zili ndaj begative që u janë dhuruar të tjerëve.

    Zili është të shpresosh që t’i humb vëllait tënd begatia që e posedon, është zemërim ndaj Allahut në mirësinë dhe begatinë e Tij, dhe kundërshtim ndaj asaj që ia ka caktuar Allahu robit të Tij prej furnizimit. Allahu, azze ue xhel, thotë: “A mos i kanë zili njerëzit për çfarë u ka dhuruar Allahu nga të mirat e Veta? Ne u dhamë pasardhësve të Ibrahimit Librin e urtësinë, si dhe një pushtet të madh.” (En-Nisa: 54)

    Ziliqari kur ia sheh njerëzve begatitë që u janë paraqitur brengoset dhe shpreson e kujdeset që ato t’i humbin, ndërsa kur i godet ndonjë sprovë dhe e keqe ai kënaqet. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nëse ju vjen ndonjë e mirë, ata i brengos e, nëse ju gjen ndonjë e keqe, ata gëzohen, por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që punojnë ata.” (Ali Imran: 120)

    Nuk ka begati që i dhurohet ndokujt e mos të ketë ziliqar. Omeri, radijallahu anhu, thoshte: “Nuk ia ka dhuruar Allahu ndokujt një begati, vetëm se është paraqitur ziliqari i saj.”

    Modestia dhe ai që e posedon janë begati që pakica i kanë zili. Mubridi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Modestia dhe ai që përshkruhet me të janë begati që shumica nuk i kanë zili, ndërsa mendjemadhësia është sprovë dhe bela e cila nuk e mëshiron pronarin e saj.”

    Urtësia e saj qëndron në faktin se mendjemadhi mendon se modestia është e ulët dhe humbje, por në fakt ajo është krenari dhe ngritje.

    O vëlla musliman!

    Zilia është sëmundje që e dëmton trupin dhe e ul pozitën e ziliqarit. Prandaj, kënaqu me atë që ta ka caktuar Allahu. Falënderoje Atë për të gjitha begatitë që t’i dhuroi, se kjo është më e dashur për shpirtin dhe më e dashur tek Allahu.

    Fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem,mos garoni me njëri-tjetrin në shitblerje, e ka për qëllim kur një njeri i cili paraqitet si blerës e rrit çmimin e mallit dhe ai nuk e ka për qëllim blerjen e saj, por me rritjen e saj dëshiron t’i bëj dobi shitësit në llogari të myshteriut. Kjo është dëm i madh për myshteriun. Ngjall mes njerëzve urrejtje dhe është ndihmesë në ngrënien e pasurisë në të kotë dhe pa dyshim se është mashtrim për muslimanët.

    Thënia “mos u urreni” do të thotë mos veproni gjëra që e nxisin urrejtjen mes jush prej fyerjeve, talljeve, përgojimeve, bartjeve të fjalëve, etj. Dije, o vëlla musliman, se njerëzit që i bartin fjalët dhe i pasojnë epshet e tyre janë prej njerëzve më të këqij. Ndërsa urrejtja e një vëllai që të këshillon në të mirë dhe të ndalon prej të keqes dhe urrejtja e këshillave të tij për shkak se nuk i përshtatet epsheve dhe pasioneve tua, është sinjal se ti ke sëmundje në zemrën tënde dhe nuk je në rrugë të drejtë.

    Ndërsa thënia mos ia ktheni njëri-tjetrit shpinën” , e ka për qëllim mos e bojkoto vëllain tënd duke e larguar dhe braktisur, dhe duke mos e përshëndetur me selam apo duke mos ia kthyer selamin.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk i lejohet muslimanit ta bojkotoj vëllain e tij musliman më tepër se tre ditë. Ndoshta takohen ose përballen me njëri-tjetrin dhe nëse njëri i kthen shpinën po ashtu edhe tjetri e kthen shpinën. Më i miri prej tyre është ai që e fillon me selam.”

    Ibën Abdulber, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Braktisjes dhe largimit i thuhet kthim i shpinës për shkak se ai i cili e urren tjetrin e braktis dhe largohet prej tij. Kurse ai i cili largohet dhe e braktis vëllain e tij vetëm se ia ka kthyer shpinën një muslimani.”

    Prandaj, o ju muslimanë, keni frikë Allahun, azze ue xhel, dhe falënderoni Atë për begatitë që ua dhuroi. Mos u bëni ziliqar ndaj begative të tjerëve dhe kënaquni me atë që Allahu ju furnizoi.

    “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë! Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kur’anin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.” (Ali Imran: 102-103)

    Frikohuni Allahut dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër. Silluni mes vete me urtësi, me butësi, me mençuri dhe me dashuri. Bashkëpunoni mes vete në mirësi, me zemra të pastra dhe me këshilla të dobishme në çdo gjendje, se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit. Kjo do të thotë se ai nuk i bën dëm dhe nuk i hyn në hak, nuk e lë pa ndihmë (në baltë), dhe nuk e nënçmon.

    Thënia nuk i bën dëm dhe nuk i hyn në hak” do të thotë se nuk lejohet t’i bëhet dëm qoftë me fjalë, apo me vepër. Detyrohet ta këshillon dhe t’ia jep të drejtat e tij që i meriton.

    Thënia nuk e lë pa ndihmë (në baltë)” do të thotë se muslimani detyrohet t’i ndihmojë muslimanit, në rast se ka mundësi, kur ai kërkon ndihmë prej tij me qëllim që ta largojë padrejtësinë prej tij.

    Thënia nuk e nënçmone ka për qëllim se nuk ia ul pozitën e tij para njerëzve duke e akuzuar se nuk ka shumë dituri, pasuri, moshë apo se në jetën e tij është i pavlefshëm, nuk ka punë të mirë, familja nuk e do, etj.

    Nënçmimi burimin e saj e ka prej mendjemadhësisë, ndërsa Allahu, azze ue xhel, na ka njoftuar se nuk e do mendjemadhësinë dhe mendjemëdhenjtë.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, e kërcënon atë që në zemrën e tij ka mendjemadhësi se nuk do të hyjë në Xhenet. Thotë, salallahu alejhi ue selem: “Nuk do të hyjë në Xhenet ai, që në zemrën e tij ka një grimcë mendjemadhësie.” – Një prej burrave tha: O i Dërguar i Allahut, dikush dëshiron, që rrobat dhe sandalet t’i ketë të bukura? – Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është refuzimi i të vërtetës dhe sjellja me arrogance ndaj njerëzve”.

    Refuzimi i të vërtetës do të thotë mospranimi i saj dhe refuzimi me mendjemadhësi i atij, që e thotë atë. Ndërsa sjellja me arrogancë ndaj njerëzve bëhet duke i poshtëruar dhe përbuzur.

    Thënia devotshmëria (takvallëku) është këtu (me dorë tregoi nga vendi i zemrës tri herë)” aludon se Allahu i shikon zemrat dhe veprat, e jo pamjet dhe pasuritë.

    Po ashtu përfitojmë se baza e besimit është në zemër, frytet e saj në gjymtyrë dhe se imani është fjalë dhe vepër dhe besim. Nuk mjafton vetëm emri musliman dhe shpresa se Allahu do të më fal, por besimi është ajo që ngulitet në zemër dhe gjymtyrët e vërtetojnë.

    O vëlla musliman!

    Ashtu si e ke të ndaluar gjakun dhe pasurinë e vëllait tënd musliman, po ashtu e ke të ndaluar edhe nderin e tij duke e fyer dhe shpifur.

    Sa njerëz mendojnë keq dhe flasin dhe shpifin për muslimanët e ndershëm.

    Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Çudi është me disa besimtarë që shumë lehtë mbrohen prej ngrënies së pasurisë haram dhe shikimit haram, mirëpo shumë rëndë mbrohen prej lëvizjes së gjuhës. Sa njerëz i ikin imoraliteteve dhe padrejtësive, mirëpo gjuha e tyre shpif në nderin e të gjallëve dhe të vdekurve dhe si intereson se çka flasin.”

    Disa prej selefit thanë: “Kujdesu që vëllai musliman t’i ketë të garantuar prej teje tri gjëra: Nëse nuk mundesh t’i bësh mirë mos e dëmto, nëse nuk mundesh ta gëzosh mos e hidhëro dhe nëse nuk mundesh ta lavdërosh mos e kritiko dhe nënçmo.”

    O vëlla musliman!

    A dëshiron që Allahu të t’i fal mëkatet? Nuk ka aspak dyshim se ti dëshiron faljen, nëse ke zemrën e shëndoshë.

    Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Çdo të enjte dhe të hëne ekspozohen veprat (e njerëzve). Allahu në këto ditë ia fal të gjithëve që nuk i kanë bërë shok Atij, mirëpo e privon vetëm atë që ka armiqësi me vëllain e tij musliman. Allahu thotë lëri këta të dy deri sa të pajtohen mes vete”.

    O muslimanë!

    Armiqtë e Islamit kënaqen kur i shohin muslimanët të përçarë mes vete dhe duke u urryer. Kjo ia lehtëson atyre depërtimin në radhët e muslimanëve dhe devijimin e tyre prej rrugës së drejtë. Prandaj, bashkoni radhët e juaja që t’u bashkohen zemrat e juaja. Silluni me mirësi dhe dashuri mes vete dhe kërkoni mbrojtje te Allahu prej shejtanëve njerëz dhe xhindë që dëshirojnë të sjellin armiqësi dhe urrejtje mes muslimanëve.

    E lus Allahun, azze ue xhel, që zemrat dhe radhët e muslimanëve t’i bashkojë, urrejtjet dhe armiqësitë e tyre t’i largojë, ndërsa armiqtë e Islamit dhe muslimanëve t’i shkatërrojë dhe të gjitha planet e tyre kundër Islamit t’i asgjësojë.

     

    Muhamed ibën Ali es Sauij 

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • HIPOKRITËT

    HIPOKRITËT

    Allahu i dalloi besimtarët prej atyre që zemrat i kanë të sëmura e të dobëta me besim, disa popuj i ngriti në grada të larta e disa prej tyre i uli në grada të ulëta dhe njerëzit i dalloi mes të gëzuarve dhe të pikëlluarve.

    Njerëzit para shpërnguljes së Profetit, alejhi salatu ue selem, në Medine ndaheshin në besimtarë dhe në jobesimtarë dhe nuk ekzistonte grup i tretë i pavendosur në mesin e tyre. Pas shpërnguljes dhe vendosjes së Profetit, alejhi salatu ue selem, në Medine këtyre dy grupeve iu shtua edhe një grup tjetër i ri, kështu që ndarja e njerëzve u bë në besimtarë të përpiktë në mbrojtjen e fesë, në jobesimtarë të qartë e armiq të fesë, dhe në hipokritë me pamje të jashtme islame, mirëpo me zemër jobesimtare mohuese. Allahu këtë e përmendi në fillim të sures Bekare duke i zbritur katër ajete në përshkrimin e besimtarëve, dy në përshkrimin e jobesimtarëve dhe më shumë se dhjetë ajete në përshkrimin e hipokritëve. Kjo, që të dallohen dhe qartësohen zemrat dhe të shpërblehen besimtarët për besimin e çiltër të tyre dhe të dënohen hipokritët me vullnetin e Allahut ose t’ua falë atyre me mëshirën e Tij. Allahu në Kur’an na paralajmëroi prej hipokrizisë dhe prej vetive të hipokritëve në më shumë se treqind ajete të përfshira në shtatëmbëdhjetë sure dhe e veçoi për to një sure të veçantë të plotë, deri sa Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, tha: “Kur’ani pothuajse gati zbriti i tëri në lidhje me ta”.

    Hipokritët ndahen në grupe dhe lloje. Prej tyre ka që beson e pastaj devijon, prej tyre ka që i jep përparësi devijimit para udhëzimit, prej tyre ka që njëherë u bëhet e qartë e vërteta e njëherë dyshojnë në të. Gjatë historisë islame telashet me to janë më të rëndat, e pretendojnë Islamin e në fakt janë armiqtë e tij, janë të hutuar mes besimit dhe kufrit, e kërkojnë dynjanë me jobesimtarët ose me besimtarët, janë të pa orientuar se me cilin grup të shkojnë, nuk janë as besimtarë të pastër e as jobesimtarë të qartë, nuk dinë nga t’ia mbajnë as me këta e as me ata, në pamje të jashtme janë me besimtarët e me zemrat e tyre janë me jobesimtarët. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: “Shembulli i hipokritit është sikurse shembulli i deles së lëkundur në mes dy kopeve, herë shkon te njëra e herë te tjetra, nuk e di se cilën (kope) të ndjekë”.

    Allahu ia çori maskën hipokritëve dhe i demaskoi fshehtësitë e tyre që të jenë muslimanët më të vetëdijshëm rreth ideologjisë së tyre, planeve të tyre kundër Islamit dhe muslimanëve dhe pretendimeve të tyre se ata janë që përmirësojmë në tokë e jo që shkatërrojnë: Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë!” – ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë! (El-Bekare: 11) Si mund të jenë ata përmirësues kur janë të shurdhër, memecë e të verbër, njerëz që shpresojnë veprimin e të keqes dhe përhapjen e saj nëpër shoqëri, e ndalojnë të mirën, e urrejnë stemën e thirrjes në të mirë dhe ndalimit nga e keqja dhe i urrejnë ata që thirrin në të: “Hipokritët dhe hipokritet janë të ngjashëm me njëri-tjetrin: kërkojnë që të bëhen vepra të këqija e pengojnë të mirat dhe janë dorështrënguar”. (Et-Teube: 76) Shpifin kundër muslimanëve se janë mendjelehtë, por Allahu i përshkroi se ata janë të tillë: “Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë mendjelehtët, por nuk e dinë këtë”. (El-Bekare: 13) Tentojnë t’i mashtrojnë muslimanët dhe t’i shkatërrojnë shoqëritë e tyre, mirëpo: “Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por në të vërtetë mashtrojnë vetëm vetveten, megjithëse nuk e ndiejnë”. (El-Bekare: 9) Nxisin fitne, urrejtje dhe bartin fjalë: “Ata do t’ju shtonin juve vetëm të keqe, do të shtinin ngatërresa midis jush dhe do të ngjallnin përçarje, sepse edhe ndër ju ka nga ata që ua vënë veshi”. (Et-Teube: 47)

    Kur i shohin muslimanët në begati pikëllohen e kur i godet ndonjë e keqe gëzohen, paraqiten kryeneç, i nënçmojnë të tjerët dhe mahniten me vetveten: “Ata thonë: “Nëse kthehemi në Medinë, pa dyshim që të fuqishmit do t’i dëbojnë të dobëtit nga ajo!” (El-Munafikun: 9) Marrëveshjet nuk i realizojnë, besëlidhjet nuk i respektojnë, premtimet i tradhtojnë, amanetet nuk i mbajnë, e tradhtojnë shokun kur është më së e nevojshme ndihma e tyre, prandaj mos shpreso prej tyre ndihmë e as besë. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: “Kur flet gënjen, kur besohet diçka nuk e mban amanetin, kur është në konflikt është i padrejtë dhe kur premton nuk realizon”.

    Hipokritët janë njerëz me fjalor më të butë, me gjuhë më magjepse, me zemra më të prishura, e paraqesin të kotën të vërtetë, dhe kur i dëgjon ndokush sprovohet me ëmbëlsinë e fjalëve të tyre: nëse flasin, ju i dëgjoni fjalët e tyre”. (El-Munafikun: 4) E megjithatë, trupat i kanë të boshatisur si trungje të mbështetura, ndërsa në mexhlise fjalët e tyre janë vetëm se gënjeshtra dhe Allahu është dëshmitarë për këtë që e themi: “Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë”. (El-Munafikun: 1) Madje rrenat e tyre i shfajësojnë me betime të rrejshme: “Ata me vetëdije betohen në gënjeshtar”. (El-Muxhadele: 14) Në kohën e paqes dhe sigurisë sulmojnë Islamin dhe muslimanët me gjuhë të mprehtë dhe fjalë të llojllojshme fyese, ndërsa gjatë vështirësive janë më frikacakët dhe braktisin njëri-tjetrin. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kur frikësohen, ata të shikojnë ty (o Muhamed) për ndihmë, duke i rrotulluar sytë sikur të ishin në agoni. Por, sapo t’u kalojë frika, ata ju sulmojnë me gjuhë të mprehtë dhe janë koprracë me ju për çfarëdo të mire”. (El-Ahzab: 19)

    Hipokritët vuajnë prej frikës dhe fobive, ata kujtojnë se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre. Janë njerëz që nxitojnë në vërtetimin e lajmeve jo të mira dhe përgënjeshtrimin e lajmeve të mira, njihen si koprracët më të mëdhenj që nuk ia zgjasin asnjëherë dorën të varfërve dhe të mjerëve. Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ata janë më të fëlliqurit, më të këqijtë dhe më të shëmtuarit prej bijve të Ademit”. Të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe shokët e tij i fyenin më së rëndi, talleshin me to dhe i përqeshnin, udhëheqësi i tyre Abdullah ibën Ubeji me tërheqjen e një të tretës së ushtrisë i braktisi muslimanët në betejën e Uhudit kur ata ishin më së zori për ndihmë dhe ushtri, ndërsa në luftën e Tebukut në mesnatë tentuan ta vrasin të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam. Janë njerëz që kur ngrihen për faljen e namazit ngrihen me dembeli e përtaci, namazin nuk e falin për Allah, madje as nuk e besojnë ligjësimin e tij. Namazi i tyre kryhet vetëm me trup pa zemër. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: “Ai (namazi i shpejtë) është namazi i hipokritëve, ulet ndonjëri prej tyre derisa të skuqet dielli (afër perëndimit), ku në këtë kohë është mes dy brirëve të shejtanit, pastaj ngrihet dhe i falë shpejtë katër rekate, në të cilat nuk e përmend Allahun vetëm se pak”.

    Allahun nuk e përmendin vetëm se pak, për shkak se i ka vënë poshtë djalli dhe i ka bërë që të harrojnë përmendjen e Allahut. Nuk shpenzojnë përveç se me urrejtje dhe pa vendosmëri dhe shpenzimet e tyre janë të papranuara tek Allahu: Thuaj: “Shpenzoni me hir a me pahir, nga ju nuk do të pranohet kurrsesi, sepse ju jeni vërtet një popull i mbrapshtë”. (Et-Teube: 53) Pasuria dhe fëmijët e tyre janë shkak për ndëshkimin e tyre: “Mos u josh (o Muhamed) nga pasuria dhe fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu kërkon t’i ndëshkojë ata në këtë jetë, kështu që t’u dalë shpirti duke qenë jobesimtarë”. (Et-Teube: 55)

    Në zemrat e tyre nuk gjen përveç se hipokrizi. Sinqeriteti për Allahun në veprat e tyre nuk ekziston dhe mu për këtë arsye e braktisin shumë namazin me xhemat. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: “Asnjë namaz nuk është më i rëndë për hipokritët se namazi i sabahut dhe i jacisë, por sikur ta dinin ata shpërblimin për faljen e këtyre namazeve me xhemat, do të merrnin pjesë edhe sikur t’u duhej të shkojnë të zvarritur”.

    Numri i tyre është i madh, janë të shpërndarë në të gjitha anët e botës, ka prej tyre lloje të ndryshme dhe secili prej tyre karakterizohet me vetitë e veta. Hudhejfeja, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Hipokrizia sot është më e përhapur se sa në kohën e Profetit, alejhi salatu ue selem”. Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Hipokrizia vazhdoi të zë vend edhe pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, madje edhe të rritet numri i tyre”. Pasi që hipokrizia ka qenë e pranishme në atë periudhë kur besimi ishte në një nivel të lartë pa dyshim se më vonë do të rritet prezenca e saj në shoqëri edhe më tepër. Prandaj Hudhejfeja kur e dëgjoi një njeri duke thënë: “O Zot, shkatërroj hipokritët”, u përgjigj: “Po të ishin shkatërruar hipokritët do të mbeteshin rrugët të boshatisura pa njerëz”.

    Profeti, alejhi salatu ue selem, i dinte disa prej hipokritëve dhe emrat e tyre ia tregoi vetëm se Hudhejfes, radijallahu anhu, dhe këtij të fundit ia ndaloi që t’ua tregojë të tjerëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: Ka beduinë në mjedisin tuaj, që janë hipokritë, por ka edhe ndër banorët e Medinës të atillë që janë këmbëngulës në hipokrizi. Ti nuk i di ata. Ne i dimë”. (Et-Teube: 101) Pasi që të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selem, iu lejua që mos t’i dijë të gjithë hipokritët dhe ata jetonin me të në Medine, në rend të parë është që ata që do të vinë pas tij të mos i njohin hipokritët edhe më tepër. Ne gjykojmë sipas të jashtmes ndërsa zemrat i di vetëm se Allahu, mirëpo pa dyshim se ka shenja që aludojnë në njohjen e hipokrizisë dhe hipokritëve. Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Sa do që njeriu t’i fsheh fshehtësitë e zemrës atë e tradhtojnë paraqitja e shenjave në fytyrë dhe rrëshqitjet e gjuhës së tij”. Prej vetive të tyre është se kur forcohen muslimanët ata dobësohen, kur dobësohen muslimanët ata paraqiten, sprova e muslimanëve me to është shumë e rëndë, madje edhe më e rëndë se me jobesimtarët, prandaj edhe Allahu thotë: “Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruajuni prej tyre”. (El-Munafikun: 3)

    Hipokrizia ka grada. Ka hipokrizi të madhe dhe hipokritët e këtij lloji do të jenë në thellësi të Xhehenemit, dhe kjo, për shkak të mohimit të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selem, ose mohimit të diçkaje me çka ka ardhur me të, urrejtja e tij, mosbesimi në detyrimin e pasimit të tij, etj. Po ashtu ka hipokrizi të vogël. Në këtë lloj hipokrizie bien njerëzit të cilët veprojnë ndonjë vepër prej veprave të hipokritëve duke qenë edhe imani prezentë në zemrën e tyre. Këta njerëz në zemrën e tyre kanë edhe iman edhe hipokrizi dhe sa më shumë që i shtojnë veprat e hipokritëve aq më shumë bëhen hipokritë të pastër edhe pse e falin namazin dhe agjërojnë. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: Nëse gjenden katër cilësi tek një person, atëherë ai është hipokrit i vërtetë, por nëse gjendet njëra prej tyre, atëherë tek ai gjendet një prej cilësive të hipokritëve, derisa të heqë dorë nga ajo: Kur flet gënjen, kur besohet diçka nuk e mban amanetin, kur është në konflikt është i padrejtë dhe kur premton nuk realizon”.

    Bashkimi i të gjithë këtyre cilësive në një njeri e bëjnë që të jetë hipokrit i vërtetë, ndërsa paraqitja e një prej këtyre cilësive e bën njeriun që të posedon një prej vetive të tyre. Hipokrizia e vogël është mjet për arritjen deri tek hipokrizia e madhe dhe për mu këtë arsye të parët e tanë, Allahu qoftë i kënaqur me ta, kishin drojë të madhe prej hipokrizisë dhe secili prej tyre mendonte se ka veti prej vetive të hipokritëve. Ibën Ebi Melijkeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “ Kam takuar më tepër se tridhjetë vetë prej shokëve të Muhamedit, salallahu alejhi ue selem. Që të gjithë kishin frikë se mos ishin hipokritë”.

    Prandaj, ti o musliman, bëhu i kujdesshëm që mos të biesh nën ndikimin e hipokritëve dhe hipokrizisë, bëj përpjekje më të madhe që ta shtosh sinqeritetin në veprat tua qofshin ato të jashtme apo të brendshme, me plotë dëshirë fale namazin me xhemat dhe shpeshto përmendjen e Allahut. Dijetarët thonë: “Po të kishte qenë dobia e vetme prej përmendjes së Allahut largimi dhe mbrojtja prej hipokrizisë do të mjaftonte”. Bëhu i drejtë kur flet, realizo marrëveshjet, bëhu besnik, bëhu i butë dhe i drejtë gjatë konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, largohu prej dëgjimit të muzikës dhe veglave muzikore se ajo e kultivon hipokrizinë në zemër sikur se uji që i kultivon drithërat dhe kërko prej Allahut dhurimin e besimit të pastër dhe mbrojtje prej hipokrizisë dhe vetive të saj.

    O Zot, mbrona prej hipokrizisë dhe vetive të saj, mbrona prej përçarjeve dhe moralit të keq dhe shtona besimin e pastër dhe diturinë e dobishme.

    Shejh Abdulmelik El Kasim  

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

  • MEDRESEJA E NATËS

    MEDRESEJA E NATËS

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “O ti i mbuluar (o Muhamed)! Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj, që është gjysma ose diçka më pak a diçka më shumë se ajo dhe lexoje Kur’anin ngadalë dhe qartë, sepse Ne do të të dërgojmë vërtet një fjalë me peshë të rëndë”. (El-Muzemil: 1-5)

    Ky mesazh iu dedikua të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, që ta përgatit veten për një fjalë madhështore dhe porosi të rëndë dhe përgatitja e tij të fillojë prej medresesë së natës e cila i hap zemrat, i forcon lidhjet me Allahun dhe ndriçon me dritë.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ishte më i dituri prej njerëzve për Allahun, më i devotshmi, vetmohej dhe e përmendte shumë Zotin e tij, çdo herë që i jepej mundësia e adhuronte Krijuesin e tij, kur afrohej nata i drejtohej të adhuruarit të tij, me lutje e dua, duke iu përulur Atij në këmbë, ulur e në sexhde, derisa afrohej agimi e ai nuk ndjente aspak lodhje prej qëndrimit të gjatë në këmbë. Si të ndjen lodhje kur vetmohej me Allahun, me Sundimtarin e botëve dhe qiejve, Atij i drejtohej për nevojat e veta, ndjente kënaqësi në adhurimin e Tij, dhe Atij i drejtohej me zemrën dhe trupin e tij: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë”. (Es-Sexhde: 16-17)

    Hasan el Basriut, Allahu e mëshiroftë, iu parashtrua një pyetje se pse njerëzit që falen natën janë me fytyrë më të mirë? U përgjigj: “Për shkak se ata u vetmuan me Allahun dhe Ai zbriti mbi ta dritën e Tij dhe i stolisi me të”.

    O robër të Allahut, namazi i natës është adhurim që e lidh zemrën e njeriut për Allahun, e bën zemrën të fortë që t’i përballojë sprovat kalimtare të jetës, të mund nefsin në çastet kur zërat nuk dëgjohen, kur sytë flenë dhe kur ata që janë në gjumë rrotullohen nëpër shtretër. Kjo është arsyeja që namazi i natës është masë e synimit dhe vullnetit të sinqertë dhe virtyt i shpirtrave të mëdhenj. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu)”. (Edh-Dharijat: 17-18)

    Sa të shumta janë dobitë që i merr robi i Allahut prej namazit të natës për ta edukuar veten dhe për ta përmirësuar gjendjen e tij. Prej fryteve më të rëndësishme që i jep ky namaz është kultivimi i sinqeritetit dhe realizimi i pasimit, duke e ndjekur të Dërguarin e Allahut, Muhamedin, alejhi salatu ue selam, i cili falte namaz nate deri sa ju ënjteshin këmbët e tij. Kush e përsiat Kur’anin kur njerëzit flenë do t’i vërejë mangësitë e tij dhe do të pendohet për ato mangësi, kush e përmend Allahun në vetmi dhe i mbushën sytë me lot do ta ringjall Allahu nën hijen e Arshit të Tij, ditë ku nuk ka hije përveç hijes së Tij dhe nuk ka falje e mëshirë përveç faljes dhe mëshirës së Tij.

    O robër të Allahut, namazi i natës mbjell devotshmëri, dhikri i tij mbjell ëmbëlsi, ndërsa në zemër derdh kënaqësi, qetësi dhe dritë. Për këtë arsye një prej selefit thonte: “Banorët e natës (i ka për qëllim ata që falin namaz nate) ndjejnë më shumë kënaqësi në namazin e natës së tyre, se ata që janë dhënë pas dëfrimit në dëfrimin e tyre”.

    Po ashtu, namazi i natës zemrës i dhuron butësi dhe dritë. Ata el Horasani, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Thuhet se namazi i natës është jetë për trupin, dritë në zemër, shkëlqim në sy dhe fuqi në gjymtyrë. Njeriu nëse ngrihet dhe fal namaz nate në mëngjes ngrihet i lumtur dhe atë lumturi e gjen në zemrën e tij, e nëse natën flenë dhe nuk falë namaz nate kur ngrihet në mëngjes ngrihet i pikëlluar e me zemër të thyer, sikurse të kishte humbur diçka dhe me të vërtetë ai i ka humbur gjërat që më shumti bëjnë dobi”.

    Vëllai im musliman, Zoti yt çuditet prej atij që ngrihet për të falur namaz nate. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Zoti ynë çuditet me dy persona: Njeriu që ngrihet prej shtratit dhe familjes e shkon në namaz. Atëherë Allahu thotë: “O ju melekët e Mi, shikojeni robin Tim si është ngritur për namaz dhe e ka lënë shtratin dhe familjen dhe ka ardhur në namaz nga dëshira dhe malli që ta fitojë atë që është tek Unë”.

    Kush dëshiron nder e lartësim le ta fal namazin e natës vazhdimisht dhe mos ta lë atë, sepse Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thoshte: “Dije se lartësimi i besimtarit arrihet me namazin e natës”.

    Namazi i natës është praktikë e njerëzve të mirë, sebep që të afron kah Allahu, shkak për faljen e mëkateve, ndalimin e të keqes dhe largimin e sëmundjeve prej trupit ashtu siç e përmend edhe Pejgamberi, alejhi salatu ue selam: “Faleni namazin e natës, sepse ai është praktikë e njerëzve të mirë para jush, shkak që t’i afroheni Zotit tuaj dhe që t’ju falen mëkatet. Namazi i natës e ndalon të keqen dhe e largon sëmundjen prej trupit”.

    Namazi i natës është shkak për ngritjen e gradave dhe derë e madhe prej dyerve të mirësisë. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha Muadh ibën Xhebelit: A nuk dëshiron të drejtoj kah dyert e mirësisë? Agjërimi është mburojë (nga zjarri i Xhehenemit). Lëmosha e shuan mëkatin ashtu sikur e shuan uji zjarrin. Namazi i njeriut në fillimin e së fundit të natës është simboli i njerëzve të mirë.” Pastaj lexoi i Dërguari, alejhi salatu ue selam, ajetet e Kur’anit: “I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe nga ajo që Ne u kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin. Pra, për ata që kanë vepruar nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim.” (Es-Sexhde: 16-17)

    Muslimani kur largohet prej shtratit të tij në pjesën më të errët të natës dhe merr abdes me ujë të ftohët, pastaj qëndron para Allahut duke e thirrur e duke u lutur në namaz, atëherë Allahu atë e përmend, krenohet para melaqeve me të, e dëgjon pendimin dhe istigfarin e tij, e dëgjon lartësimin dhe madhështimin e Tij në kohë kur njerëzit e tjerë flenë, ndërsa Zoti i njerëzve dhe Krijuesi i tyre nuk fle dhe nuk është i shkujdesur, por thotë: “A ka prej atyre që kërkojnë pendim që t’ua fali atyre”.

    Zoti ynë zbret në qiellin e dynjasë për çdo natë pasi të mbetet një e treta e fundit të natës dhe i përgjigjet thirrjes së thirrësit, ia plotëson nevojën nevojtarit dhe ia fal gjynahet mëkatarit. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Zbret Allahu i Lartësuar në gjysmën e natës apo në një të tretën e fundit prej saj dhe thotë: “Unë jam Sundimtari. Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush kërkon prej Meje që t’ia jap? Kush kërkon falje që ta fal atë? Kështu derisa të hyjë sabahu apo të mbarojë namazi i sabahut”.

    Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se e kam dëgjuar Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, duke thënë: “Vërtet gjatë natës ka një moment që nuk ia qëllon njeriu musliman duke iu lutur Allahut nga të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër vetëm se Allahu i përgjigjet dhe kjo për çdo natë”.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, kur e përmendi Xhenetin tha: “Në Xhenet ka dhoma ku pjesa e jashtme e saj shihet prej brenda dhe pjesa e brendshme e saj shihet prej jashtë.” Ebu Musa el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha për cilin janë përgatitur ato, o i Dërguar i Allahut? Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: “Allahu i ka përgatitur ato për atë që ndan ushqim, flet fjalë të buta, agjëron ditën dhe falet natën kur të tjerët janë në gjumë”.

    Një njeri i kishte thënë Hasan el Basriut: “O Ebu Seid! Unë bie të fle shëndosh e mirë dhe dëshiroj të fali namazin e natës dhe të përgatitem për abdes, atëherë çfarë kam që nuk po mund të falem?” Ai iu përgjigj: “Të kanë lidhur mëkatet e tua!”

    Fudajl ibën Ijadi ka thënë: “Nëse nuk mundesh të falesh natën dhe të agjërosh ditën, dije se je penguar dhe ke lakuar prej rrugës. Pra, të kanë larguar prej rrugës mëkatet tua”.

    Nëse nuk mundesh që t’ia japish hakun namazit të natës, atëherë bëhu siç thoshin disa prej selefit: “Nëse nuk mundësh të falësh namaz nate atëherë mos i bën mëkat Zotit tënd gjatë ditës”.

    Sehl ibën Sad, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se një ditë i erdhi Xhibrili, alejhi selam, Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, dhe i tha: “O Muhamed, jeto sa të duash se një ditë do vdesësh, duaj kë të duash se një ditë do ndahesh prej tij, puno çfarë të duash se një ditë do shpërblehesh për atë çfarë ke bërë, dhe dije se lartësimi i besimtarit arrihet me namazin e natës dhe krenaria e tij është duke mos pasur nevojë për njerëzit”.

    E lus Allahun të na bëj dobi mua dhe juve me udhëzimin e Kur’anit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

    Shejh Dr. Abdulbarij Thubejti

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

     

  • SHKAQET E ZBRITJES SË BEREQETIT

    SHKAQET E ZBRITJES SË BEREQETIT

    Njeriu në këtë botë shumë lakmon që t’i shtohet në kohë, në jetë, në pasuri, në fëmijë dhe në të gjitha gjërat e dashura të tij, të cilat ai i mendon se janë shkak i lumturisë së tij në dynja. Prandaj muslimani i lutet Allahut që ta bekon dhe Po ashtu Profeti, salallahu alejhi ue selem, kërkonte prej Allahut ta bekojë në shumë çështje. Me bekim (bereqet) nënkuptojmë zbritjen e mirësisë hyjnore në ndonjë gjë. Zbritja e saj jep fryte madhështore, pakicën e shton, shumicën e bën të dobishme, ndërsa prej fryteve më të mëdha të bekimit në të gjitha çështjet është përdorimi i tij në adhurimet ndaj Allahut.

    Kush e mediton gjendjen e njerëzve të mirë dhe dijetarëve të dalluar do ta vëren bereqetin haptazi në jetën e tyre. E sheh ndonjërin prej tyre i cili ka të hyra materiale si të tjerët, se si Allahu i dërgon bereqet në pasuri, nuk shpenzon pa mos patë dobi dhe gjendja e tij është stabile pa borxhe. E sheh tjetrin se si Allahu i çon bereqet në vajzën e tij, e respekton prindin, e mbron nderin dhe kur të martohet i lind nipa të cilët i bëhen kënaqësia e syve të tij. E sheh tjetrin se si kohën e tij e shfrytëzon në adhurime dhe në vepra të dobishme, sikurse orët e ditës së tij të jenë më të gjata se sa orët dhe ditët e njerëzve tjerë.

    Në anën tjetër medito gjendjen e atyre të cilëve Allahu nuk u zbret bereqet. E sheh ndonjërin se si posedon miliona, mirëpo ditën e sheh të pikëlluar dhe të lodhur, e natën nuk bën gjumë duke llogaritur dhe duke menduar për pasurinë e tij. E sheh tjetrin se si posedon makinë luksoze, mirëpo është vizitor i shpeshtë i automekanikut, sa del prej te njëri hyn tek tjetri. E sheh tjetrin se është prind i shumë fëmijëve, por ata i gjen armik të prindit të tyre, nuk e respektojnë, prindi nuk dëgjon prej tyre vetëm se të keqen dhe nuk vëren në sytë e tyre vetëm se një pyetje, se kur do të lirohemi prej teje?

    Allahu kur e zbret bereqetin përfshin çdo gjë: pasurinë, fëmijën, kohën, punën, prodhimin, gruan, diturinë, kafshën, shtëpinë, mendjen, gjymtyrët, shokun, e shumë gjëra tjera, prandaj edhe kërkimi i tij bëhet shumë i rëndësishëm dhe i patjetërsueshëm.

    Parashtrohet pyetja se si të arrijmë deri tek bereqeti?

    Gjërat më kryesore që na e mundësojnë fitimin e bereqetit me lejen e Allahut janë:

    Devotshmëria, e cila është çelësi i çdo të mire:

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka”. (El-A’raf: 96); “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret”. (Et-Talak: 2-3)

    Prej të parëve tanë kanë ardhur disa shprehje të cilat kanë sqaruar këtë fjalë, por të gjitha sillen rreth një kuptimi. E ajo është, që njeriu të kryej atë të cilën ia ka obliguar Allahu dhe të largohet nga ajo të cilën ia ka ndaluar Allahu, që të jetë kjo mbrojtje për njeriun nga dënimi i Allahut.

    Nga Aliu kanë ardhur transmetime, i cili e ka sqaruar kuptimin e devotshmërisë duke thënë: “Devotshmëri është frika prej Allahut, veprimi me Kur’an, kënaqësia me pakë, dhe përgatitja për botën tjetër”.

    Po ashtu është definuar si: “Të veprosh në bindje ndaj Allahut, duke shpresuar në mëshirën e Tij prej një drite prej Tij dhe t’i lësh veprat e mosbindjes duke pasur frikë Allahun prej një drite prej Tij”.

    Janë ankuar disa tek një njeri i mirë se çmimet e mallrave janë rritur. Ka thënë: Zbritni ato me devotshmëri.

    – Leximi i Kur’anit:

    Kur’ani është libër i bekuar, është shërim për zemrat e sëmura dhe ilaç i sëmundjeve të trupit. Allahu, azze ue xhel, thotë: Ky (Kur’an) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët”. (Sad: 29)

    Pra, veprat e mira janë shkak i fitimit të mirësisë dhe bereqetit.

    – Duaja:

    Profeti, salallahu alejhi ue selem, kërkonte bereqet në shumë gjëra. Një prej lutjeve që na mësoi është ajo për të martuarit, ku muslimani duhet të thotë: “Allahu të bekoftë ty edhe pasardhësit e tu dhe ju bashkoftë ju të dy në të mirë”.

    Po ashtu na mësoi lutjen për atë që na ushqen: “O Zot, bekoji në atë që i ke furnizuar, fali mëkatet e tyre dhe mëshirojë ata”.

    E shumë lutje tjera të dobishme për jetën dhe ahiretin e muslimanëve.

    – Sinqeriteti në shitblerje:

    Profeti, salallahu alejhi ue selem, thotë: Shitblerësit kanë të drejtë zgjedhjeje derisa s’janë ndarë. Si të kishin qenë të sinqertë në shitblerjen e tyre, Allahu do t’iu zbret bereqet në atë tregti. Si ta kishin fsheh ndonjë mangësi të mallit ose ta kishin mashtruar njëri-tjetrin, Allahu do ta largon bereqetin e asaj tregtie”.

    – Realizimi i veprave herët në mëngjes:

    Profeti, salallahu alejhi ue selem, bëri lutje për bekim për ata që fillojnë të veprojnë herët në mëngjes.

    Sahr el Gamedij, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: O Allah, bekoje Umetin tim kur e nisin (një punë) herët!”

    Sahri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte tregtar dhe çdo herë i urdhëronte punëtorët e tij ta fillojnë punën herët në mëngjes, kështu që iu shtua pasuria aq shumë sa që nuk dinte ku ta deponon.

    Një prej selefit thoshte: Çuditem me atë i cili e fal namazin e sabahut pas lindjes së diellit, se prej nga i vjen furnizimi?!

    – Pasimi i Sunetit në çdo çështje:

    Pasimi i Sunetit nuk sjell përveç se mirësi. Prej haditheve që flasin rreth saj e veçojmë: Bereqeti (begatia) zbret në mes të pjatës me ushqim e hani nga skajet e mos filloni nga mesi i saj”.

    Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka urdhëruar që gjatë ngrënies të lëpihen gishtat dhe të fshihet ena me ushqim dhe ka thënë: “Vërtet ju nuk e dini se ku është bereqeti”.

    (Në një transmetim tjetër të tij thuhet: “Kur t’i bjerë në tokë kafshata e ushqimit ndonjërit prej jush, le ta marrë, le t’ia shkundë pluhurin, pastaj le ta hajë dhe të mos ia lërë djallit: askush prej jush të mos i fshijë duart me shami para se t’i lëpijë gishtat e vet, sepse nuk e di në cilin prej ushqimeve të tij është bereqeti”.)

    – Mbështetja e sinqertë në Allahun, azze ue xhel:

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai”. (Et-Talak: 3)

    Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: Sikur ju të mbështeteshit në Allahun me mbështetje të njëmendtë, do t’ju furnizonte siç i furnizon shpezët, gdhijnë të uritur, ndërsa ngrysen të ngopur”.

    – Kërkimi i mbarësisë prej Allahut në çdo çështje:

    Robi duhet të kërkojë mbarësi prej Allahut, ta pranojë dhe t’i mbështetet zgjedhjes së Allahut e jo zgjedhjes së tij, për shkak se ajo është më e mirë për dynjanë dhe ahiretin e tij.

    Duaja e Istihares është transmetuar nga Xhabir ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë se: Profeti, alejhi selam, na mësonte të bëjmë Istiharen për gjithë çështjet tona, ashtu siç na mësonte suret e Kur’anit. Na thoshte Profeti, alejhi selam: “Nëse ndonjëri prej jush mendon të bëjë diçka, le ti falë dy rekate namaz (jo prej namazit farz) dhe të thotë (pas namazit) duanë e Istihares: “O Zoti im, me diturinë Tënde kërkoj mbarësi. Kërkoj ndihmë prej fuqisë Sate; kërkoj nga të mirat e Tua të shumta, sepse Ti ke mundësi, kurse unë s’kam mundësi, Ti di çdo gjë, kurse unë nuk di, Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zot, nëse kjo punë imja (emërton nevojën e tij), është e dobishme për fenë time dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, ma mundëso realizimin e saj, ma lehtëso mua këtë dhe më beko në të. E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, largoje këtë nga unë dhe më largo mua nga kjo e më përcakto mirësinë (mbarësinë) kudo që të jetë dhe më bë të jem i kënaqur me të”.

    (Imam Neveviu thotë: “Pas Istihares duhet ta bëjmë atë çështje për të cilën na hapet zemra dhe nuk bazohemi në atë që kemi pasur dëshirë para se të falnim namazin. Prandaj kërkohet nga ne që ta ndërpresim zgjedhjen dhe të mos mendojmë për të derisa ta falim namazin e nëse nuk e bëjmë kështu, atëherë nuk numërohet se ne i jemi drejtuar Allahut me sinqeritet që të na zgjedhë çështjen që është më e mirë për ne.”)

    – Shpenzimi dhe lëmosha:

    Shpenzimi në rrugë të Allahut dhe lëmosha janë shkaqe për shtimin e riskut, ashtu siç na njofton Allahu, azze ue xhel: Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë”. (Es-Sebe’: 39)

    Në një hadith Kudsij: “Allahu, azze ue xhel, thotë: “O biri i Ademit shpenzo, që të shpenzoj Unë për ty”.

    – Largimi prej pasurisë haram:

    Largimi prej pasurisë së fituar në mënyrë të palejuar, edhe atë prej të gjitha pamjeve dhe formave që i merr ajo pasuri, është shkak i humbjes së bereqetit në pasuri. Allahu, azze ue xhel, thotë: Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë”. (El-Bekare: 276)

    – Falënderimi dhe mirënjohja për begatitë e dhëna:

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia”. (Ibrahim: 7)

    – Falja e namazeve të detyruara:

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut”. (Ta Ha: 132)

    – Vazhdimësia në istigfar:

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “E u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj! “. (Nuh: 10-12)

    E lus Allahun të na begatojë në atë çka e posedojmë dhe të na mundëson të bëhemi prej atyre që i kërkojnë shkaqet të cilat e rrisin bereqetin.

    Shejh Dr. Abdulmelik El Kasim 

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • SHTATË VEPRA TË BARABARTË NË VLERË ME HAXHIN APO UMREN APO ME DYJA BASHKË

    SHTATË VEPRA TË BARABARTË NË VLERË ME HAXHIN APO UMREN APO ME DYJA BASHKË

    1. Të qëndruarit në xhami pas namazit të sabahut e deri në lindjen e diellit, pastaj falja e dy rekateve

    – Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e fal sabahun me xhemat (në xhami) pastaj ulet dhe e përkujton Allahun derisa të lind dielli e pastaj fal dy rekate, ai fiton shpërblimin sikur te ketë kryer Haxh dhe Umre. Tha Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: Të plotë, të plotë, të plotë!”. 

    1. Prezenca në namazin me xhemat dhe ecja në këmbë për në xhami për të falur namaz vullnetar

    – I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush shkon në xhami që të falë namaz (farz), ajo është sikur Haxhi dhe kush shkon të falë nafile ajo është sikur Umreja”.

    1. Falja e namazit të jacisë dhe sabahut me xhemat

    – Ebu Dheri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se erdhën disa njerëz te i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i thanë: O i Dërguar i Allahut, pasanikët po na tejkalojnë në shpërblime!! Ata falen si ne, agjërojnë si ne, dhe japin lëmoshë nga pasuritë e tyre! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, iu përgjigj: “Po ju, a nuk ua bëri Allahu faljen e namazit të jacisë me xhemat ta barazon Haxhin, dhe namazin e sabahut me xhemat ta barazon Umren?!”.

    1. Prezenca në mexhliset e dijes në xhami

    – Ebi Umameh, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush shkon në xhami dhe me atë nuk synon vetëm se marrjen e diturisë apo mësimin e të tjerëve, e ka shpërblimin e një Haxhi të plotë”.

    1. Bërja e dhikrit pas namazit farz

    – Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se një ditët erdhën disa nga shokët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i thanë: “O i Dërguar i Allahut, pasanikët na tejkaluan në shkallë dhe me bekime të vlefshme; falen sikur falemi ne, agjërojnë sikur që agjërojmë ne dhe me pasuritë që i kanë, e bëjnë Haxhin dhe e kryejnë Umren, bëjnë xhihad dhe japin lëmoshë! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u tha: “A dëshironi t’ju mësoj diç­ka me të cilën do t’i arrini ata që ju kanë tejkaluar dhe ata që vij­në pas jush; nëse këtë e bëni, askush nga ju nuk do të jetë më i vlef­shëm, përveç nëse vepron ç’veproni edhe ju”. Muhaxhirët varfa­njakë kanë thënë: “Po, gjithqysh, o i Dërguar i Allahut!”. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u tha: “Do të thoni SubhanAllah, Elhamdulilah dhe Allahu ekber pas çdo namazi nga tridhjetë e tri herë”.

    1. Kryerja e Umres në Ramazan

    – Është transmetuar nga ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha një gruaje nga mesi i ensarëve: “Çfarë të ndaloi që nuk bëre Haxh me ne?” Ajo tha: “I kishim vetëm dy deve të cilat i përdornim për të sjellë ujë (d.m.th. burri i saj dhe djali kishin shkuar për Haxh në një deve dhe tjetrën ua kishte lënë familjes për të sjellë ujë).” Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kur të vjen Ramazani, shko për Umre, sepse Umreja në Ramazan është e barabartë me Haxhin”.

    Sipas një transmetimi tjetër: “… është e barabartë sikur të bëhej Haxhi me mua”.

    1. Respektimi i prindërve

    – Ka ardhur një person tek Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i tha: “Me të vërtetë unë kam dëshirë për të luftuar, mirëpo nuk po kam mundësi. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “A e ke ndonjërin prej prindërve gjallë?”. Ai tha: “Po, e kam nënën time”. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, iu përgjigj: “Ndreqni marrëdhëniet me Allahun duke i respektuar prindërit. Nëse e bën një gjë të tillë (nëse i respekton prindërit) atëherë ti ke bërë Haxhin, Umren dhe xhihadin”.

    Përshtati dhe përktheu: Irfan JAHIU

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline