Category: Probleme shpirtërore & shoqërore

  • NJERËZIT AMBICIOZË DHE TË SUKSESSHËM NË PROJEKTE (2)

    NJERËZIT AMBICIOZË DHE TË SUKSESSHËM NË PROJEKTE (2)

    Babai i teknologjisë në Japoni:

    Disa jobesimtarë i sheh që kanë shumë zell, veprimtari, përpjekje dhe kontroll në atë që e synojnë.

    Si për shembull: Japonia e pati dërguar një student të saj në Gjermani që të studionte bazat e shkencës së mekanikës. Ëndrra e tij ishte që vetë të prodhonte një motor të makinës.

    Studenti thotë: “I lexova dhe u njoftova me të gjitha teoritë e mekanikës, por prapë isha i pamundshëm që të prodhoja një motor.

    Me krejt rrogën studentore që e merrja e bleva një motor të prodhuar në Itali. Në të shikoja sikur në kurorën nga guri i çmuar. I thashë vetes: Kjo është fshehtësia e fuqisë së Evropës. Nëse e ndërtoj një motor sikur ky, do ta ndryshoj historinë e Japonisë. Nëse arrij t’i çmontoj pjesët e motorit, pastaj t’i montoj ato dhe ta startoj motorin, unë vetëm se e kam bërë një hap drejt zbulimit të fshehtësisë së prodhimit evropian.

    I mora vizatimet e motorit që i kisha, mora shumë letra dhe mjetet e punës dhe fillova me punë. Në fillim i vizatova pjesët e motorit, pjesë pjesë, derisa e çmontova. Pastaj e vizatova motorin të montuar krejtësisht dhe fillova t’i bashkoja pjesët e tij derisa e montova si ishte. Kur e startova motorin, ai filloi të punonte. Zemra për pak do të më ndalej nga gëzimi. Tri ditë punë, një herë vetëm haja brenda ditës, ndërsa natën flija shumë pak.

    Kur i shkoi lajmi përgjegjësit tonë, erdhi me një motor të prishur dhe më tha: ‘Zbuloje gabimin dhe rregulloje atë që motori përsëri të punojë.’ Punova në të dhjetë ditë derisa e gjeta vendin e prishjes; tri pjesë të motorit ishin prishur duke e bërë të papërdorshëm. I nxjerra ato, i prodhova tri të tjera me dorën time, me çekiç dhe me limë.

    Përgjegjësi pastaj kërkoi prej meje që unë vetë të ndërtoja pjesë dhe ta prodhoja një motor. Në vend që të shkruaja temën e doktoratës që e kërkonin profesorët gjermanë prej meje, unë shkoja nëpër fabrikat ku shkriheshin hekuri, bakri dhe alumini. U bëra punëtor i tyre, qëndroja i nënshtruar pranë punëtorit që i shkrinte metalet, u bindesha urdhrave të tij sikur të ishte një padron i madh dhe isha në shërbimin e tij gjatë kohës së pauzës për ushqim. Kjo zgjati për tetë vjet me radhë, punoja diku prej 10 e deri 15 orë në ditë. Pas përfundimit të ditëve të punës, punoja si roje dhe gjatë natës i përsëritja rregullat e çdo prodhimi.

    Rastin tim e mori vesh sunduesi i Japonisë ‘El-Mikado’, i cili më dërgoi nga pasuria e tij personale ari në vlerë të 5000 funta angleze (që në kohën e tij kishin vlerë shumë më të madhe se sot). Me ato i bleva të gjitha mjetet e nevojshme për ndërtimin e motorit, i hipa në anije së bashku me gjërat të tjera që i kisha dhe u nisa për në vendlindjen time. Sapo arrita në Japoni, El-Mikado kërkoi të më takonte personalisht. Në vete thashë që unë nuk e meritoja ta takoja atë derisa tërësisht ta ndërtoja fabrikën e motorëve.

    Pas nëntë vjetësh, së bashku me ndihmësit e mi, shkova në pallatin mbretëror me dhjetë motorë ku në ta shkruante ‘U prodhua në Japoni’. Kur hyra brenda, El-Mikado buzëqeshi dhe më tha: ‘Zëri i motorëve të pastër japonezë është tingulli më i ëmbël që e kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time’.”

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    (Pjesë nga libri: Projekte për jetë aktive -këshilla dhe ide-)

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • NJERËZIT AMBICIOZË DHE TË SUKSESSHËM NË PROJEKTE (1)

    NJERËZIT AMBICIOZË DHE TË SUKSESSHËM NË PROJEKTE (1)

    Një projekt që të përfundojë me sukses ka nevojë për ambicie të lartë.

    Në vazhdim do t’i përmendim disa shembuj të mrekullueshëm të njerëzve ambiciozë dhe projekteve të tyre:

    Dhulkarnejni dhe projekti i ndërtimit të tokës: “Ne i dhamë atij mundësi në Tokë dhe i dhamë mjete e rrugë për të arritur çdo gjë.” (El-Kehf: 84)

    Allahu i dha Dhulkarnejnit mundësi në Tokë dhe i dha mjete për të arritur çdo gjë. Ai punoi me to dhe i përdori në mënyrën e duhur, në mënyrë që ta realizonte qëllimin e tij dhe ta arrinte synimin e tij.

    Për ta vazhduar rrugëtimin dhe xhihadin e tij sakrifikoi mund të madh duke e përgatitur ushtrinë dhe duke e dhënë çdo gjë që e posedonte nga pasuria dhe fuqia. Ai e kuptoi që njeriu patjetër duhet që t’i marrë shkaqet, të përpiqet dhe të lodhet për të arritur deri te qëllimi i tij.

    Dhulkarnejni u nis ta ndërtonte dhe ta përmirësonte Tokën, derisa arriti në atë vend ku e la fuqia dhe takati i tij. Ai nuk kënaqej me gradat e dynjasë që kënaqeshin të tjerët në kohën e tij dhe nuk u ndal në ndonjë kufi dhe vijë të caktuar, por eci nëpër Tokë derisa arriti në vendin e perëndimit të Diellit. Pastaj me ushtrinë e tij eci derisa arriti vendin e lindjes së Diellit. Pastaj ndoqi një rrugë tjetër derisa arriti në mes dy malesh. E gjithë kjo sipërfaqe ishte nën sundimin e tij. Aty sundonte drejtësia dhe vendi i tij u bë vendstrehim për të dëmtuarit dhe të frikësuarit.

    El-Kasimij, Allahu e mëshiroftë, tha: “Nga rrëfimi për Dhulkarnejnin përfitojmë që me aktivizimin e ambicieve largohen pengesat, dhe kjo i lehtëson mjetet e rrugën për të arritur çdo gjë. As udhëtimi në det dhe as ecja nëpër shkretëtirë nuk duhet të llogariten arsye për vyshkje dhe për t’u kënaqur me pak, përkundrazi duhet që të ecet dhe vazhdohet nëpër vështirësi për ta arritur në fund kënaqësinë e rehatisë. Sikurse e kaloi Dhulkarnejni jetën e tij, ai e shijonte vetëm ëmbëlsinë dhe kënaqësinë e fitoreve dhe suksesit, ngase vështirësitë nuk e mundnin dhe nuk e dëshpëronin që të kthehej mbrapa, por ai vazhdonte rrugën derisa e arrinte atë që e dëshironte.”

    Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, i lexonte për çdo ditë dymbëdhjetë mësime në shkenca të ndryshme. Pra, i lexonte për çdo ditë, jo për çdo javë ose për çdo muaj.

    I lexonte dy mësime në librin ‘El-Vesit’, mësimin e tretë në librin ‘El-Muhedheb’ që më vonë do ta komentonte në librin e tij voluminoz ‘El-Mexhmua’, mësimin tjetër e lexonte në librin ‘El-Xhem’ bejne Es-Sahihejn’, një mësim në ‘Sahih Muslim’, një mësim në librin ‘El-Lumei’ të autorit Ibën Xhunij në gramatikë, një mësim në librin ‘Islah El-Mentik’ të autorit Ibën Es-Sikit në gjuhën arabe, një mësim në morfologji, një mësim në usuli fikh (bazat e jurisprudencës islame) herë në librin ‘El-Lumeu’ të Ibën Isakut e herë në librin ‘El-Munteheb’ të Fahrurazij, një mësim në esma rixhal (shkenca që merret me emrat e transmetuesve të haditheve), një mësim në usulu din (bazat e fesë).

    Imam Neveviu thotë: “E nënvizoja çdo gjë që ndërlidhej me temën, fjalët që nuk kuptoheshin dhe qartësimin e shprehjeve, derisa Allahu më dha bereqet në kohën time.”

    Për kohën përkujdesej shumë, atë e kalonte gjatë natës dhe ditës në mësim dhe në kërkim të dijës, derisa lexonte edhe rrugës kur ecte. Këtë temp e vazhdoi për gjashtë vjet, pastaj filloi të shkruante libra dhe dobi.

    Xhabir ibën Abdullah El-Ensarij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, udhëtoi një muaj në drejtim të Shamit për të kërkuar një hadith nga Abdullah ibën Unejsi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

    Ebu Ejub, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, udhëtoi për në Egjipt tek Ukbe ibën Amir, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ta pyeste vetëm për një hadith.

    Seid ibën El-Musejib, Allahu e mëshiroftë, tha: “Udhëtoja ditë dhe net për ta kërkuar një hadith.”

    Seid ibën Xhubejr, Allahu e mëshiroftë, udhëtoi prej Kufes deri në Medine për komentin e vetëm një ajeti të Kuranit.

    Ibën Ed-Dejlemij, Abdullah ibën Fejruz, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Më erdhi një hadith që e transmetonte Abdullah ibën Amru ibën El-As, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe u nisa prej në Palestinë për në Taif që ta pyesja rreth hadithit.”

    Imam Taberiu dhe libri i tij i tefsirit dhe i historisë:

    Imam Taberiu, Allahu e mëshiroftë, u tha nxënësve të vet: “A mundet që unë t’ju diktojë e ju ta shkruani historinë e botës prej tek Ademi e deri më sot?”

    I thanë: “Sa vëllime do të jetë libri?”

    E përmendi diku 30000 mijë fletë!

    I thanë: “Kjo na e merr tërë jetën dhe nuk do të mundemi ta përfundojmë.”

    Imam Taberiu u tha: “Ne jemi të Allahut (shprehje që përdoret gjatë fatkeqësive)! Vdiqën ambiciet!”

    Librin pastaj e shkurtoi diku deri në 3000 mijë fletë.

    Kur dëshiroi ta fillonte librin e tefsirit, nxënësve të vet u tha të njëjtat fjalë dhe ata ia kthyen me të njëjtën përgjigje. Kështu që u desh ta shkurtonte librin e tefsirit njëjtë sikurse librin e historisë.

    Imam Taberiu thotë: “Para se ta shkruaja librin e tefsirit, tri vjet e fala namazin e istihares dhe kërkova ndihmë dhe përkrahje nga Allahu për atë që e pata bërë nijet, ta shkruaja librin e tefsirit, dhe Allahu më ndihmoi.”

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    (Pjesë nga libri: Projekte për jetë aktive -këshilla dhe ide-)

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • NDËSHKIMI I BESIMTARËVE

    NDËSHKIMI I BESIMTARËVE

    Prej traditës së Allahut në njerëzit është që forca të mos vjen vetëm se pas belas, dhe çdo herë që shtohet fatkeqësia, dhe ajo pritet me durim, dhe me kënaqësi, dhe me bindje, aq më afër është fitorja dhe fuqia: “Dhe, kur të dërguarit gati e humbën shpresën dhe menduan se do të shpalleshin gënjeshtarë, atëherë u arriti ndihma Jonë: Ne shpëtojmë atë që duam dhe dënimi Ynë nuk zmbrapset nga populli keqbërës”. (Jusuf: 110)

    Sad ibën Ebi Vekas, Allahu qoftë i kënaqur me të, e pyeti të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se kush është më i sprovuari? U përgjigj: ”Pejgamberët e pastaj ata të mirët pas tyre e pastaj ata pas tyre. Njeriu sprovohet sipas fuqisë së besimit të tij”.

    Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, u pyet se cila është më e mirë për njeriun, të përforcohet apo të sprovohet? U përgjigj: Nuk mundet të përqendrohet pa u sprovuar!

    Pasi që kjo është tradita e Allahut në robërit e Tij besimtar, fatkeqësitë dhe sprovat kanë qenë pjesë e pandarë e tyre prej fillimit të thirrjes së pejgamberëve, dhe do të vazhdojnë deri në ditët e fundit të kësaj dynjaje. Ai që e lexon historinë e popujve, do të sheh se besimtarët janë sprovuar në fenë e tyre, janë imponuar në lënien e tij, janë përqendruar ata që janë përqendruar dhe janë sprovuar ata që janë sprovuar!

    Populli i Nuhit, alejhi selam, i thanë atij: ”Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Nuh, me siguri, do të gurëzohesh”. (Esh-Shuara: 116) Dhe po mos t’i kishte shkatërruar Allahu, ata me të vërtetë do ta gurëzonin atë dhe besimtarët me të.

    Populli i Ibrahimit, alejhi selam, dhanë urdhër të hidhet ai në zjarr, duke qenë i gjallë: “Populli i tij nuk kishte tjetër përgjigje, përveçse tha: “Vriteni atë ose digjeni!” Por Allahu e shpëtoi atë nga zjarri. Vërtet, këtu ka shenja të qarta për njerëzit që besojnë”. (El-Ankebut: 24)

    Luti, alejhi selam, u kërcënua me largim nga vendi dhe dëbim, dhe po të mos shkatërrohej populli i vet, ata do ta realizonin planin e tyre: ”Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Lut, me siguri do të jesh i dëbuar”. (Esh-Shuara: 167)

    U ndëshkuan besimtarët nga bijtë e Israilit me ndëshkime të rënda nga dora e Faraonit dhe ushtarëve të tij, derisa arrit çështja që t’i thonë Musait, alejhi selam: “Ne kemi vuajtur para se të vish ti dhe ende po vuajmë”. (El-A’raf: 129)

    E fshihnin besimin e tyre nga ndëshkimi i rreptë i Faraonit, nuk e paraqitnin haptazi namazin e tyre, kurse Allahu na lajmëroi për një burrë nga familja e Faraonit që i besoi Allahut dhe e fshihte imanin e tij: “Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: “Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt, shndërrojini ato në faltore dhe falni namazin! Dhe sillu lajmin e mirë besimtarëve!”. (Junus: 87) Faleshin nëpër shtëpia nga belat dhe ndëshkimet që i përjetonin prej Faraonit dhe ushtarëve të tij.

    Faraoni dhe ushtarët e tij përdornin metoda të ndryshme të ndëshkimit. Kur Musa, alejhi selam, me kërkesën e Faraonit i sfidoi magjistarët, dhe atyre iu qartësua e vërteta dhe i besuan Musait, alejhi selam, kurse e mohuan Faraonin, ky i fundit ju tha: “Çfarë?! Ju e besuat atë, para se t’ju jap leje unë?! Në të vërtetë, ai është mjeshtri juaj, që ju ka mësuar magjitë. Unë do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja të këmbyera dhe do t’ju var në trungjet e hurmave. Ju do ta merrni vesh, me siguri, se cili prej nesh është më i ashpër dhe më ngulmues në ndëshkim”. (Ta Ha: 71) U përqendruan në fe, ashtu të varur në trungjet e hurmave, derisa e takuan Allahun si dëshmorë, Faraoni ishte i pari i cili ndëshkoi me kryqëzim dhe me prerje të pjesëve të trupit!!

    Kur u dërgua Isa, alejhi selam, si Pejgamber te bijtë e Israilit, i besoi një grup dhe një grup tjetër e mohoi. Ky që e mohoi filloi ta dëmton atë palë që besoi dhe tentuan ta vrasin Isën, alejhi selam, mirëpo Allahu e ngriti, kurse ata e morën një që i përngjante shumë Isës, alejhi selam, dhe e kryqëzuan dhe e mbytën pasi që e ndëshkuan!

    Allahu na tregoi rastet e besimtarëve që u sprovuan në fenë e tyre duke i djegur me zjarr, të gjallë, kurse ata që i ndëshkonin ndjenin kënaqësi në djegien e tyre: “Mallkuar qofshin njerëzit e Hendekut, zjarrit (të ushqyer) me lëndë djegëse, kur rrinin ulur rreth tij, duke dëshmuar atë që po i bënin besimtarëve! Ata i munduan besimtarët, vetëm pse këta i besuan Allahut, të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd, të Cilit i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe që është Dëshmitar i çdo gjëje”. (El-Buruxh: 4-9)

    I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, na lajmëroi se ata kishin hapur gropa dhe kishin ndez në të zjarr dhe i kishin hedhur besimtarët në të duke qenë të gjallë. Gjithashtu na lajmëroi që ia kishin këputur kokat me sharrë, dijetarit dhe këshilltarit të mbretit, kur ata besuan në Allahun dhe e mohuan kufrin, duke i ndarë të dytë në dy pjesë!

    I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, lajmëroi edhe për lloje tjera të ndëshkimeve të besimtarëve të mëhershëm, dhe tha: ”Para jush ka pasur njerëz që i dënonin me krehër të hekurt duke ua fërkuar nëpër trupin e tyre, derisa iu binte mishi në tokë, e kjo nuk ishte shkak për t’u larguar na feja e drejtë. Po ashtu i merrnin dhe me sharrë i pritnin prej kupës së kokës derisa i ndanin në dy pjesë, edhe kjo nuk ishte shkak për t’u larguar nga feja e drejtë…”.

    Duket se ndëshkimet e besimtarëve dhe mundimi i tyre për shkak të besimit ishte i madh në popujt e mëhershëm, ashtu siç lajmëron Allahu në Kur’an: “Sa e sa profetë bashkë me shumë besimtarë të vërtetë luftuan e megjithatë nuk u përkulën para goditjeve që morën në rrugën e Allahut, as nuk u dobësuan e as nuk u nënshtruan. Allahu i do të duruarit”. (Ali Imran: 146)

    Muslimanët janë Umeti më i lartë, më i mirë, dhe më i hairit! U përfunduan profecitë me të dërguarin e tyre, përfunduan librat me zbritjen e Kur’anit dhe feja e tyre është e përgjithshme për të gjitha krijesat deri në Ditën e Kiametit! Ky Umet është i fortë dhe i ndihmuar dhe askush nuk mundet ta dëmtojë këtë fe, edhe pse mund të dëmton individë nga ithtarët e saj, sepse kjo fe është e ruajtur deri kur të përfundon kjo dynja.

    Pasi që ky Umet në shumicën e historisë së saj është i përqendrueshëm, dhe feja e saj e dukshme, dhe përfundimi i saj do të jetë me fitore dhe mundje, patjetër është që kësaj qëndrueshmërie t’i del karshi belaja, sprovat, vështirësitë dhe ndëshkimet!

    Kjo ishte ajo që i ndodhi të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe shokëve të tij. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, u gjuajt me gurë, mbi kokën e tij ia hedhën zorrët e devesë, ia shtrënguan qafën derisa ishte afër të i merret fryma, rrugës i vendosnin thera dhe ndyrësira, i hyri hekuri në fytyrë, e helmuan, i bën magji, e larguan nga qyteti, e nënçmuan dhe e luftuan, jobesimtarët dhe çifutët dhe hipokritët donin ta vrisnin dhe i bënin kurthe shumë herë!

    Edhe shokët e tij u ndëshkuan për Allahun dhe u munduan shumë rëndë. Jobesimtarët e Mekës i ndëshkonin besimtarët në Meke me uri, etje dhe djegie, derisa ua vishnin parzmoret e hekurit dhe i linin në diell. Bilalin, Allahu qoftë i kënaqur me të, e tërhiqnin zvarrë në tokën e nxehtë të Mekës, dhe ia vendonin gurin e madh mbi kraharorin e tij të lakuriqtë. Familja e Jasirit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, ranë dëshmorë nga ndëshkimi i madh. Shtatëdhjetë nga sahabët ranë dëshmorë në luftën e Uhudit dhe mbi trupat e tyre ndodhën masakra të llojeve të ndryshme dhe shumë e shumë raste të tjera!

    Kur u dobësuan muslimanët dhe u mbisunduan nga të krishterët në fund të shekullit të pestë të hixhretit, ndëshkoheshin me ndëshkime të rënda dhe i masakronin rëndë, e vritnin kë mbërrinin, shtatzënave ua nxjerrin fëmijët prej barqeve, kokat e fëmijëve i pritnin me qëllim dhe të gjallët i merrnin i hidhnin nga malet e larta!!

    Kur tatarët i sulmuan tokat e muslimanëve dhe e morën Bagdadin në shekullin e shtatë, i torturuan muslimanët me tortura të ndryshme.

    Kur Endelusi ra në duart e të krishterëve në fund të shekullit të nëntë, i përdorën metodat më të këqija në ndëshkimin e muslimanëve, metoda që deri atëherë nuk njiheshin dhe nuk ishin përdorë asnjëherë më parë. Deri më sot plot nga muzetë evropiane i ruajnë shumë nga ato mjete me të cilat ndëshkoheshin muslimanët!

    E gjithë kjo sprovë dhe ndëshkim për çfarë?! E tëra kjo për t’i penguar njerëzit nga Islami, mirëpo kjo jo që i ndaloi muslimanët, po e shtoi numrin e tyre edhe më tepër, dhe u dha stabilitet dhe përqendrueshmëri: “Ata vazhdimisht do të luftojnë kundër jush, që të mund t’ju kthejnë nga besimi juaj. Ata që e mohojnë fenë dhe vdesin si mohues, – veprat e tyre (të mira) do të humbasin në këtë botë dhe në tjetrën. Ata do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë”. (El-Bekare: 217)

    Edhe pse muslimanët si Umet janë të fundit, mbi ta u përdorën të gjitha metodat dhe mjetet e ndëshkimit, të vjetrat dhe ato të rejat!

    Nga umetet e vjetra përcillet se metodat e ndëshkimit që i kanë përdorur janë: largimi, dëbimi, të kryqëzuarit në dru, prerja e pjesëve të trupit, djegia për së gjalli, prerjen e trupave me sharrë, etj. Të gjitha këto metoda të përdorura në umetet e mëhershëm janë përdorur edhe te muslimanët, madje armiqtë e fesë i kanë shumëfishuar ndëshkimet dhe metodat, saqë mendja e njeriu s’mund ta paramendojë!

    Kush i sheh ato pamje dhe foto nga ndëshkimi i muslimanëve në Burma dhe në Afrikën e Mesme, në Siri dhe në Irak, që e bëjnë të krishterët dhe rafiditë dhe mushrikët, nuk i mbetet njeriu diç tjetër vetëm se të kërkojë mbrojte tek Allahu nga sherri i njeriut shejtan.

    Kur i sheh njeriu gjitha ato pamje dhe foto nga ndëshkimi i muslimanëve, e pyet vetveten se ata a janë njerëz apo çfarë?! Pse gjithë kjo zili mbi muslimanët?! Pse bota e lirë hesht për këto pamje?! Ku janë organizatat për të drejtat e njeriut, që edhe ata janë pjesëmarrës në këto masakra në mënyrë direkte apo indirekte?!

    Edhe pse këto pamje janë të dhimbshme, në anën tjetër ato janë ndriçuese, sepse aludojnë në përqendrueshmërinë e muslimanëve në të drejtën, sado që u kushton ajo, dhe aludon se Islami është i fortë dhe fe që përhapet më së shumti, derisa armiqtë e tij ia kanë për zili dhe e urrejnë dhe e sulmojnë!

    Le të marrim mësim nga pamjet dhe fotot e përqendrueshmërisë së vëllezërve tanë të ndëshkuar, dhe le t’i shpeshtojmë lutjet e tona për ta, dhe le të lusim Allahun për falje e mbrojtje nga belat dhe për përqendrim në fe derisa t’ia dorëzojmë amanetin!

    Shejh Ibrahim Hukejl

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • MOSTËR NGA TË DREJTAT E MUSLIMANIT NDAJ MUSLIMANIT

    MOSTËR NGA TË DREJTAT E MUSLIMANIT NDAJ MUSLIMANIT

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, i cili na urdhëroi që të kapemi për litarin e Tij dhe na ndaloi prej përçarjes dhe kontradiktave: “Kush mbahet fort pas (fesë së) Allahut, sigurisht që është i drejtuar në udhë të mbarë” (Ali Imran: 101) Dëshmoj se nuk i takon me të vërtetë adhurimi askujt përveç se Allahut, i Cili është një dhe nuk ka shok. Dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij dhe dëshmoj se është njeriu me moral më të lartë dhe me zemër më të mirë dhe më të shëndoshë. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

    O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe dijeni se ju jeni vëllezër në Fe dhe se kjo vëllazëri dhe lidhje fetare është më e fortë se çdo lidhje tjetër. Ditën e Kiametit nuk ka dhe nuk vlen lidhja familjare mes jush, por atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun. Realizoni këtë vëllazëri me dashuri dhe afërsi mes jush, dojani njëri tjetrit të mirën dhe bashkëpunoni në të, veproni vepra të cilat e përforcojnë këtë lidhje dhe e kultivojnë atë dhe largojuni veprave të cilat e dobësojnë atë lidhje dhe e mangësojnë atë. Një umet nuk mundet të jetë umet dhe në të të ketë fuqi derisa nuk bëhet ashtu siç e ka përshkruar Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, në thënien e tij: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa, pjesët e të cilës mbajnë fort njëra-tjetrën”.

    O vëllezër, Allahu për ju e ligjësoi atë që e përforcon unitetin e juaj dhe e kultivon dashurinë mes jush dhe e largon armiqësinë dhe përçarjen e ajo është dhënia e selamit mes jush. Selami, pra, mbjell dashuri dhe afërsi, kurse braktisja e kontaktit mes jush sjell armiqësi dhe ashpërsi. Nëse e takoni njëri-tjetrin përshëndetuni mes jush dhe më të mirët nga ju janë ata që fillojnë të parët me selam dhe ai që ia kthen selamin le t’i përgjigjet me fytyrë të buzëqeshur dhe me përgjigje që dëgjohet.

    Allahu për ju e ligjësoi po ashtu edhe vizitën e njëri-tjetrit kur të sëmureni. Vizita e të sëmurit sjell dashuri dhe e zbut zemrën, e shton besimin dhe sjell shpërblime. Kush e viziton një të sëmurë e thërret një thirrës nga lart qiellit “U gëzofsh me të mira dhe u shpërblefshin hapat e tua me të mirë dhe shtëpia jote u bëftë Xheneti!”. Kush e viziton vëllain e vet musliman vazhdon të jetë në hurfet e Xhenetit derisa të kthehet nga vizita e të sëmurit. I thanë: O i Dërguar i Allahut, çka janë hurfet? Tha: “Frytet e Xhenetit”. Kush viziton një të sëmurë pëlqehet që t’i qëndrojë te koka dhe t’i jep gajret e ta qetësojë me fjalë të mira dhe të këndshme, duke i uruar shërim dhe jetëgjatësi. Kjo vepër ia ngrit moralin dhe e forcon shpirtërisht. Është mirë që vizituesi të kërkojë lutje prej të sëmurit, sepse lutja të cilën e bën i sëmuri për vizituesin i ngjan lutjes së melaqeve. Mirë është që t’ia rikujtojë pendimin dhe ta nxitë që kohën ta shfrytëzojë në lexim të Kur’anit, dhikrit dhe istigfarit dhe t’i tregojë se si duhet të pastrohet me ujë apo tejemum, si ta falë namazin, e si ta lë porosinë, për arsye se shumë nga të sëmurët nuk i dinë këto rregulla dhe dispozita.
    Allahu për ju ligjësoi po ashtu përmirësimin mes njerëzve. Allahu i Madhëruar në lidhje me këtë tha: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve”. (En-Nisa: 114) Me një hadith ka ardhur se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i ka thënë Ebu Ejubit, Allahu qoftë i kënaqur me të: “A dëshiron të tregoj për një tregti”. Ebu Ejubi iu përgjigj: “Po, o i Dërguar i Allahut”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: “Të shkosh dhe t’i përmirësosh njerëzit nëse ata janë përçarë mes vete dhe t’i afrosh ata mes tyre nëse janë larguar njëri nga tjetri”.

    Njeriu kur vëren se mes dy vetave ka armiqësi dhe përçarje mirë është që të merr iniciativë që ta largojë atë armiqësi derisa atë ta shndërrojë në shoqëri dhe largësinë mes tyre në afërsi dhe në këtë rast do të fitojë shumë mirësi dhe shpërblim të madh.

    I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ua ligjësoi që kur ta dëgjoni një musliman që teshtitë të thotë “Elhamdulilah-Falënderimi i takon Allahut” ju t’ia ktheni atij me “Jerhamukallah-Allahu ju mëshiroftë” që në fund ai t’ua kthejë dhe t’ju thotë “Jehdikumullahu ue juslih balekum- Allahu ju udhëzoftë dhe gjendjen e juaj e përmirësoftë”.

    Poashtu ua ligjësoi dhurimin e dhuratave mes jush dhe na lajmëroi se dhurata është shkak për largimin e zemërimit dhe sjell dashuri. Pra çdo gjë që sjell lidhje dhe unitet mes muslimanëve është e ligjësuar të veprohet dhe duhet të kapemi për të.

    Në anën tjetër i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ndaloi nga çdo gjë që i përçan dhe i largon muslimanët mes vete. E ndaloi që të distancohet vëllai musliman nga muslimani më shumë se tre ditë, t’ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit dhe mos ta përshëndesin njëri-tjetrin për arsye se armiqësia mes tyre në këtë mënyrë nuk do të largohet po vetëm se do të shtohet. Kjo sjellje pa dyshim se është e qortuar dhe nuk është e pranuar mirëpo e shohim se shejtani luan me disa njerëz derisa i shpien në këtë vepër edhe pse ndoshta ata janë njerëz që e duan hajrin dhe janë njerëz të kapur për fe, por shejtani i mashtron dhe fillojnë që të distancohen nga njëri-tjetri madje për çështje personale apo për interesa të dynjasë dhe harrojnë se Islami është më i vlefshëm se çdo gjë personale dhe dobi të dynjasë. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, rreth kësaj tha se: “Nuk i lejohet muslimanit ta bojkotojë vëllain e tij musliman më tepër se tre ditë. Nëse e bojkoton atë më shumë se tre ditë dhe vdes në këtë gjendje hyn në zjarr”.

    Dhe po ashtu tha: “Çdo të hënë dhe të enjte prezantohen veprat e robit dhe Allahu ia falë në ato ditë çdo robi që nuk i ka përshkruar shok dhe ortak Allahut përveç se atij i cili ka mosmarrëveshje me vëllain e vet musliman dhe Allahu thotë leni ata dy derisa të pajtohen mes tyre”.

    Largimi i muslimanit nga muslimani pra është i ndaluar përveç se nëse ai është mëkatar që i shfaq ato në publik dhe për atë ligjësohet nëse në largimin nga ai ka dobi që të largohen muslimanët një periudhë me qëllim që t’i largohet mëkateve apo t’i pakëson ato.

    Sheriati i Allahut ka ardhur me ndalesë sa i përket bartjes së fjalëve dhe ecjes në mesin e njerëzve me qëllim të shpërndarjes së tyre dhe futjes urrejtje në mesin e njerëzve. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai që bart fjalë”.

    Sheriati i Allahut po ashtu ndaloi nga sharja dhe fyerja për arsye se kjo shpien deri në armiqësi dhe urrejtje.

    O ju besimtarë, afrohuni mes vete dhe largoni armiqësitë dhe urrejtjet mes jush dhe bëhuni robër të Allahut vëllezër mes jush.

    Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni”. (El-Huxhurat: 10)

    Shejh Dr. Salih El Humejd

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • MADHËRIMI I CITATEVE SHERIATIKE

    MADHËRIMI I CITATEVE SHERIATIKE

    Allahu njerëzimit ia detyroi Islamin si fe dhe ligj. Me Islam njeriut ia garantoi përmirësimin e zemrave, trupave dhe ruajtjen e pasurive dhe shoqërive, në çdo kohë e vend, pa marrë parasysh gjuhën dhe racën e tyre. Prandaj zbriti dispozita dhe caktoi dënime, e qartësoi të mirën dhe e qartësoi të keqen. Pasi që këto dispozita binin ndesh me epshet dhe dyshimet e disa njerëzve, këta të fundit i pranuan këto dispozita me mëdyshje duke i mohuar në tërësi ose duke i devijuar e komentuar sipas epsheve dhe dyshimeve të tyre. Kjo metodologji e pranimit të citateve pa dyshim se është shumë e rrezikshme për jetën e njeriut. Prandaj më së miri për një musliman është që të paralajmërohet prej kësaj dukurie negative dhe ta mësojë veten në pranimin e dispozitave pa mëdyshje dhe skepticizëm.

    Për ta madhëruar dhe lavdëruar Allahun e domosdoshme është madhërimi i dispozitave dhe respektimi i kufijve të Tij. Shenja e dashurisë së çiltër pra, është nënshtrimi i të dashurit. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Prej gradave të para të madhërimit të Allahut është madhërimi i urdhrit të Tij dhe e ndalesës që e ndaloi Ai. Kjo, për shkak se besimtari e njeh Zotin e tij nëpërmjet mesazhit që e dërgoi me të të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selem, deri tek të gjithë njerëzit. Përmbajtja e atij mesazhi është: “Nënshtrim i plotë i urdhrit të Tij dhe largimi prej ndalesës së Tij”. Kjo arrihet vetëm se me madhërimin e urdhrit të Allahut dhe pasimit të tij dhe me madhërimin e ndalesës së Tij dhe largimit prej saj. Madhërimi i urdhrit të Allahut dhe ndalesës së Tij prej anës së besimtarit është argument për madhërimin e tij të Allahut dhe sipas këtij madhërimi do të jetë prej punëdrejtëve që dëshmohet për to besimi i drejtë dhe i pastër dhe shërimi prej hipokrizisë së madhe”.

    O robër të Allahut!

    Pasi që kriter i domosdoshëm i madhërimit të Allahut është madhërimi i dispozitave të Tij, atëherë, detyrohet që çdo musliman të nxiton në realizimin e tij, ta edukojë veten në të derisa të drejtohet dhe të vazhdon më tutje.

    Madhërimi ka shenja që aludojnë në të dhe prej shenjave të madhërimit të citateve sheriatike janë:

    – Mospasja e të drejtës për të zgjedhur në pranimin e dispozitës së Allahut.

    Muslimani nuk ka të drejtë zgjedhjeje në pranimin e dispozitave të Allahut, por detyrohet që t’i nënshtrohet plotësisht dhe tërësisht dispozitave të Allahut pa mëdyshje apo hamendje: Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur”. (El-Ahzab: 36)

    Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky ajet është i përgjithshëm dhe vlen për të gjitha çështjet. Edhe atë kur gjykon Allahu dhe Profeti i Tij, alejhi salatu ue selam, me diçka nuk i lejohet askujt kundërshtimi i këtij gjykimi, e as nuk ka të drejtë zgjedhjeje, e as dhënie mendimi apo thënie të ndonjë fjale”.

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, gjatë komentimit të këtij ajeti e sjell një thënie të Hasan el Basriut i cili kishte thënë: “Nuk i takon një besimtari e as një besimtareje kur të urdhëron Allahu dhe i Dërguari i Tij, salallahu alejhi ue selem, me diçka t’i kundërvihen”.

    – Mosekzistimi i ndjenjës së ngushtimit në gjoks gjatë dëgjimit të citatit sheriatik.

    Muslimani duhet ta edukojë veten e tij që t’i pranojë citatet dhe të veprojë me to me gjoks të hapur dhe me zemër të qetë ashtu siç na mëson edhe Allahu në Kur’an: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht”. (En-Nisa: 65)

    Imam ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Betohet Allahu, azze ue xhel, në veten e Tij Fisnike dhe të Shenjtë se nuk ka besuar asnjëri derisa ta marrin Muhamedin, alejhi salatu ue selam, për gjyqtar në të gjitha çështjet dhe se çdo gjykim i tij është i drejtë dhe jemi të detyruar t’i nënshtrohemi këtij gjykimi me zemër dhe me vepra. Prandaj Allahu tha: “e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht”, që do të thotë se ti kur gjykon i nënshtrohen asaj që ti gjykon në brendësinë e tyre dhe nuk ndiejnë në vetvete ngushtim në gjoks ndaj gjykimit tënd dhe të binden ty plotësisht pa kundërshtime dhe pengesa”.

    – Hulumtimi i tepërt apo thellimi në kërkimin e urtësisë së ligjësimit të citatit. 

    Kjo veti e mangëson përsosmërinë e bindjes dhe nënshtrimit, madje mund të ndodhë që vazhdimësia në kërkimin e urtësive të citateve ta çon njeriun deri në mohimin e disa dispozitave fetare. Muslimani duhet ta edukojë veten në pranimin e dispozitave me gjoks të gjerë. Nuk ka pengesë në rast se dëshiron ta dijë urtësinë dhe ta kërkojë atë në rast se ka mundësi, mirëpo në rast se nuk mundet ta zbulojë urtësinë e ligjësimit atëherë prej etikës dhe moralit të lartë është përmbajtja dhe largimi prej kërkimit të saj: “Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten”. (El-Enbija: 23)

    Imam Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Muslimani i nënshtrohet dispozitave të Allahut pa marrë parasysh se a i paraqitet atij urtësia e ligjësimit apo jo. Në rast se paraqitet urtësia e ligjësimit në urdhrin dhe ndalesën e Tij atëherë ajo duhet të jetë nxitës në rritjen e nënshtrimit dhe bindjes në urdhrin e Allahut dhe nuk duhet që të jetë shkak i largimit të tij prej asaj dispozite apo mohimit të saj në përgjithësi”.

    Komentuesi i librit Akide Tahauije thotë: “Dije se ndërtimi i të qenurit rob i Allahut dhe besimi në Allahun, në Librat e Tij dhe në të Dërguarit e Tij bëhet me nënshtrim dhe bindje dhe me mosparashtrimin e pyetjeve rreth shpjegimit të hollësishëm të urtësive në urdhëresat, në ndalesat dhe në ligjësimet. Prandaj Allahu nuk na tregoi në Kur’an për ndonjë Umet të ndonjë profetit e cila i besoi të dërguarit të tyre dhe mesazhit me çka erdhi ai, e ta kishin pyetur hollësisht për urtësitë e urdhrave, ndalesave dhe ligjeve me të cilat kishte ardhur tek ai Umet. Po të kishin vepruar ashtu nuk do të ishin besimtarë në të dërguarin e tyre. Por ata u nënshtruan, u bindën, çka e ditën prej urtësive e mësuan, çka u fsheh prej tyre nuk u bë shkak që ata t’i largohen bindjes dhe nënshtrimit dhe i dërguari i tyre në sytë e tyre ishte shumë më i madh se sa ta pyesnin për këto çështje”.

    Po ashtu prej shenjave që aludojnë në madhërimin e citateve sheriatike janë:

    – Irritimi për hir të Allahut kur cenohet paprekshmëria e ligjeve dhe ndalesave të Tij dhe tentimi i mbrojtjes së tyre sipas mundësive.

    Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, çdo herë që kishte të drejtë zgjedhjeje mes dy gjërave, e zgjidhte më të lehtën, në rast se ajo vepër nuk përmbante në vete mëkat. Në rast se ishte mëkat atëherë ishte njeriu që më së shumti i largohej atij”.

    Robi sa më shumë që është xheloz për fenë e Allahut dhe për shenjtërinë e saj dhe sa më shumë që nxiton në përmirësimin e muslimanëve, aq më shumë është argument i tij për madhërimin e dispozitave dhe përkujdesjen e kufijve të fesë.

    Detyrimi i robit që t’i pranojë dispozitat si adhurim me të cilin afrohet kah Allahu e mos t’i pranojë për syfaqësi dhe prestigj.

    Muslimani duhet të jetë prej atyre që pikëllohet për hir të Allahut kur i ik ndonjë e mirë dhe të gëzohet për hir të Allahut kur mbërrin ta veprojë një të mirë. Ebu Jemame, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell prej Profetit, alejhi salatu ue selam, të kishte thënë: “Kush do për hir të Allahut dhe urren për hir të Allahut dhe jep për hir të Allahut dhe merr për hir të Allahut, vetëm se e ka plotësuar besimin e tij”.

    Përmbajtja prej asaj që nuk ka dituri dhe paralajmërimi prej zhytjes në studime të citateve padituri.

    Muslimani duhet të jetë i vetëdijshëm rreth parimeve të kërkimit të diturisë duke u bazuar në fjalët e Allahut: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi”. (El-Isra: 36) dhe në fjalët e Allahut që ia tha Nuhit, alejhi salatu ue selam, kur kërkoi ky i fundit që Allahu t’ia shpëton djalin: “Mos më pyet për atë që ti nuk e di. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit”. (Hud: 46)

    Allahu, azze ue xhel, ithtarëve të Librit ju tha: “Mirë ju polemizoni për gjëra që keni një farë dijenie (për çështje që lidhen me Musain, alejhi selam, dhe Isain, alejhi selam), por, pse polemizoni për atë, për të cilën s’dini asgjë (për Ibrahimin, alejhi selam)? Allahu e di hollësisht, ndërsa ju nuk dini asgjë për këtë”. (Ali Imran: 66)

    Allahu në ajetin e parë e edukoi të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam, me një edukatë madhështore duke e mësuar që t’i përmbahet asaj që nuk ka dituri, ndërsa në ajetin e dytë Allahu e ndaloi Nuhin, alejhi selam, prej parashtrimit të pyetjeve për atë që nuk e di dhe atë e konsideroi prej paditurisë.

    Sidoqoftë, zhytja në studime rreth kuptimeve të citateve padituri apo të folurit për Allahun dhe fenë e Tij padituri është mëkat i madh dhe është shkak që sjell dëme të mëdha për veten dhe për të tjerët.

    Muhamed ibën Sirini, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Që të vdes një njeri si i paditur është më mirë për të se sa të flet për Allahun dhe fenë e Tij diçka që nuk e dinë”.

    O Zot, shtona nënshtrimin ndaj dispozitave të Tua dhe shtona madhërimin Tënd në zemrat e tona, mundësona që ta dallojmë të vërtetën prej të pavërtetës dhe ta pasojmë atë dhe mundësona ta dallojmë të pavërtetën prej të vërtetës dhe t’i largohemi asaj.

    Shejh Abdulaziz Sed’han     

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • KRIMI I SIHRIT (MAGJISË)

    KRIMI I SIHRIT (MAGJISË)

    O muslimanë, udhëzimi është dhuratë e Allahut dhe me të e begaton atë që do nga robërit e Tij. Allahu na urdhëroi që ta ruajmë këtë begati nga çdo gjë që ia humb shkëlqimin dhe ia dëmton vlerën, mirëpo ka nga njerëzit, të cilët e shitën fenë e tyre lirë, pa qenë të kënaqur nga ajo që Allahu u caktoi nga fatkeqësitë e sprovat, për ta apo për të tjerët. Kjo i bëri ta shesin fenë e tyre tek sihirbazë, dhe magjistarët e fallxhorët, duke i pyetur ata për fshehtësitë, apo të kërkuarit nga ta që t’ju bëjnë tjerëve sihër e magji dhe me të t’i dëmtojnë njerëzit dhe shoqëritë.

    Sihri është vepër që përmban shumë mëkate të mëdha që ta shkatërrojnë fenë, si kërkimi ndihmë nga xhindet dhe shejtanët, frika e zemrës nga të tjerët jashtë Allahut, largimi i mbështetjes nga Allahu dhe shkatërrimi i jetës së shumë njerëzve dhe dobive të tyre. Sihri është sebep për shkatërrimin e shumë familjeve, shtëpive dhe shoqërive.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Largojuni shtatë (mëkateve) shkatërruese. Thanë cilat janë ato, o i Dërguar i Allahut? Tha: Shirku, magjia, mbytja e njeriut pa të drejtë e që e ka ndaluar Allahu, ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, kthimi i shpinës kur takohen dy palët (ikja nga fronti) dhe shpifja ndaj grave të ndershme muslimane”.

    Shejtani e nxit fortë magjistarin t’i bën sihër robërve të Allahut. Allahu thotë: “Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët” (El-Bekare: 102); “E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi”. (El-Bekare: 102) Kjo nuk do të thotë se çdo sihër ndikon tek njeriu! Sa magjistarë kanë lidhur nyje dhe nuk ka pasur ndikim tek njeriu. Allahu thotë: “Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut”. (El-Bekare: 102) Dëmi dhe dobia janë në dorën e Allahut. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Dije se po nëse gjithë njerëzit tubohen, pajtohen që ty të të bëjnë një të keqe, nuk do të mund të bëjnë përpos asaj që Allahu për ty ka caktuar”.

    O muslimanë, magjistari është njeriu më i fëlliqur dhe me moral më të keq, me zemër më të ligë, i përafërt me shejtanin, rob i tij, nuk e do të mirën, dëmtues i shoqërisë, i përshkruar me cilësitë më të nënçmuara, dhe mashtrues i atyre që vijnë tek ai, duke i mashtruar me lajmet që ua jep. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se kur ajo e pyeti të Dërguarin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për fallxhorët ai u përgjigj se ata nuk ishin asgjë. Ajo pastaj përmendi se fallxhorët ndonjëherë u thoshin gjëra që ishin të vërteta. I Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kjo është një pjesë e të vërtetës të cilën xhini e vjedh dhe e llomotit në veshin e shokut të tij, por ai e përzien atë me 100 gënjeshtra”.

    Magjistarit sihri i tij nuk ka mundësi t’i plotësohet, vetëm se atëherë kur i bën kufër Allahut. I Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush bën sihër vetëm se ka bë shirk”.

    E përmendin dijetarët se kjo është argument se magjistari është mushrik, ngase sihri nuk mund të veprohet pa bërë shirk.

    Magjistari e do pasurinë, madje fortë, dhe i mashtron njerëzit për hir të saj. Kur kërkoi Faraoni nga magjistarët të ballafaqohen me sihër me Musain, alejhi selam, ata kërkuan nga ai pasuri. Allahu thotë: “Dhe kur erdhën magjistarët e Faraonit, thanë: “A do të shpërblehemi, nëse fitojmë?” Faraoni tha: “Po, dhe do të jeni nga më të afërmit e mi”. (El-A’raf: 113-114)

    Magjistari i mashtron njerëzit dhe i thërret në shirk. I urdhëron të prenë kurban për shejtan dhe i urdhëron të lidhin hajmali, me pretekst se ajo i bën dobi dhe ua largon dëmin. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush mban apo lidh hajmali vetëm se ka bërë shirk (idhujtari)”.

    Ata që shkojnë tek ai, i mashtron duke i bindur se i di sëmundjet dhe problemet e tyre, me qëllim që t’ua përfiton zemrën dhe po ashtu i mashtron ata që shkojnë tek ai me shënimin e ajeteve të Kur’anit nëpër fleta të ndryshme.

    Dëmi i magjistarit është i madh për shoqërinë. Veprat e tij janë errësirë e rëndë. Plot nga njerëzit i ka futur në shirk, i ka shkatërruar shumë shtëpi të lumtura, e ka ndarë burrin dhe gruan që janë dashur mes vete, shumë fëmijë të pafajshëm për shkak të sihrit të tij e kanë shijuar hidhëtinë e jetës, janë ballafaquar me ndarjen e prindërve të tyre, dhe kjo ka qenë shkak i devijimit të tyre. Sa njerëz të shëndoshë magjistari ka qenë sebep i të sëmurit të tyre, sa të varfër janë zhytur nëpër borxhe duke i dhënë magjistarit të holla, kinse t’ua largojnë problemet e tyre?! Sa të holla haram dhe të kota i ka ngrënë magjistari duke pretenduar se e ka ilaçin dhe se e njeh fshehtësinë?! Sa njerëz i ka nxjerrë nga feja duke i besuar lajmërimeve të tij, kinse nga fshehtësitë, të cilat nuk i dinë përveç se Allahu?! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush i afrohet magjistarit apo parashikuesit dhe e pyet për diçka dhe i beson asaj që e thotë, vetëm se e ka mohuar atë që i ka zbritur Muhamedit”.

    Për shkak të rrezikut të dëmit të magjistarit mbi muslimanët, u caktua vendimi për ta që t’u prehen qafat, me qëllim që shoqëritë të rehatohen nga sherri i tyre. Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, u shkroi punëtorëve të tij që të mbysin çdo magjistar dhe magjistare.

    Kjo në dynja, kurse shpërblimi i tyre në ahiret është hyrja në Xhehenem, ku Allahu thotë: “Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër”. (El-Bekare: 102)

    O ju muslimanë, kush troket në derën e magjistarit që të bën sihër për të, vetëm se e ka shitur fenë e tij me dynjanë e tij, dhe e ka zëvendësuar dritën e besimit me errësirën e zemrës. Nëse njeriu e pëlqen këtë vepër edhe pse nuk e vepron, është i njëjtë në mëkat, sikurse ta kishte vepruar. Një ndër dhjetë gjërat të cilat e nxjerrin muslimanin nga Islami, është edhe veprimi i sihrit apo të kënaqurit me këtë vepër. Allahu thotë: “Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër”. (El-Bekare: 102)

    Shkuarja tek magjistari e hidhëron Allahun, i bën padrejtësi krijesës dhe e dëmton dynjanë dhe fenë e njeriut. Prandaj, ti i cili kërkon që t’i veprohet ndokujt sihër, mos u bëj kurban i magjistarit që të nxjerr nga feja jote. Rikujtoje se dynjaja është e shkurtër dhe se ti do të jesh i vetëm në varr, pra pendohu sinqerisht dhe pastroje zilinë e zemrës tënde duke i bërë mirë të tjerëve dhe shkatërroi nyjat nëse i ke bë sihër, ndokujt para se të vjen dënimi i Allahut mbi ty.

    Atij që i bëhet sihër është i dëmtuar rëndë dhe Allahu ka mundësi që t’ia zëvendësojë atë begati mbi të cilën ka pasur zili, me diçka edhe më të mirë. Allahu i sprovon robërit e Tij për t’ua ngritur gradat dhe për t’i pastruar nga gjynahet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kujt Allahu ia do të mirën e sprovon”.

    O ti që je i sprovuar me sihër, mos u pikëllo për atë që të goditi. Allahu e sprovon robin e Tij që ta afron kah Ai. Mos u zemëro për atë që të goditi dhe mos u dëshpëro nga ajo që Allahu e caktoi për ty. Kjo ka mundësi të jetë shkak për lumturinë tënde. Allahu thotë: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju”. (El-Bekare: 216)

    Duaja e të dëmtuarit pranohet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Tri lutje (dua) janë të pranuara pa dyshim: lutja e atij mbi të cilin bëhet padrejtësi, lutja e udhëtarit (mysafirit), si dhe lutja e prindit për fëmijën e vet”.

    Nëse bën durim dhe i frikohesh Allahut, për ty do të ketë përfundim të mirë. Allahu thotë: “Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut”. (El-A’raf: 128)

    Shpeshtoje lutjen e Junusit, alejhi selam, i cili tha: “LA ILAHE IL-LA ENTE SUBHANEKE INNI KUNTU MIN EDH-DHALIMIN”. ( Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejt vetes!).  I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Muslimani nuk lutet me këtë lutje për ndonjë gjë, e të mos i pranohet lutja”.

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë se është vërtetuar se kush e thotë shtatë herë, Allahu ia largon problemin e tij.

    Bëje duanë: “Ina lilahi ue ina ilejhi raxhiun, Allahume exhurni fi musibeti ue hluf li hajran minha” (Të Allahut jemi dhe tek ai do të kthehemi, O Allah më shpërble për këtë fatkeqësi dhe ma kompenso atë me një më të mirë se atë që kisha). Kjo le të jetë e shpeshtë në gjuhën tënde. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e thotë këtë lutje, Allahu do ta shpërblejë për këtë fatkeqësi dhe do t’ia zëvendësojë me diçka më të mirë”.

    Kapu edhe për istigfarin, ngase istigfari t’i largon brengat dhe t’i lehtëson vështirësitë.

    O ti që je i sprovuar me sihër, për ty më mirë është që je i dëmtuari se sa i padrejti. Prandaj mbështetu Zotit tënd, shpeshtoje istigfarin dhe lutjet dhe dije se lehtësimi i Allahut është afër. Mjerë për ty nëse dëshpërohesh nga mëshira e Allahut!!

    Kur njeriu është i afërt me Allahun, nga ai largohen belat dhe sherri. Përmendja e shpeshtë e Allahut, është nga shkaqet e ndalimit dhe pengimit të sihrit. Përkujdesja për namazet, e sidomos namazi i sabahut me xhemat është mburojë nga sherret. Surja Bekare është e bereqetshme. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Lexojeni suren Bekare! Mësimi i saj është bereqet, kurse lënia e saj është humbje, dhe ai që e lexon nuk mundet t’i bëjnë dëm magjistarët”.

    Leximi i sures Felek dhe Nas në mëngjes dhe mbrëmje, janë sebep për mbrojtje nga sihri. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ka porosit Ukbe ibën Amir, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke i thënë: “Kërko mbrojtje me to. Nuk ka njeri që ka kërkuar mbrojtje me diçka më të mirë se sa me to”.

    Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nevoja e njeriut të kërkon mbrojtje me ato dy sure, është më e madhe se sa nevoja e tij për ujë, dhe ushqim, dhe veshje”.

    Kush i lexon natën dy ajetet e fundit të sures Bekare i mjaftojnë ato nga sherret. Kush i ha shtatë hurma nga lloji axhve, e mbrojnë nga sihri. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush ha në mëngjes shtatë hurma të llojit axhve, në atë ditë nuk do t’i bëjë dëm, as helmi, e as sihri”.

    Jeni të kujdesshëm nga mëkatet, llojet muzikës dhe veglave muzikore. Ato janë sebepi kryesor për afrimin e shejtanëve në shtëpi. Nëse njeriu i largohet përmendjes së Allahut, atëherë shumë lehtë i afrohen shejtanët dhe e dëmtojnë. Prandaj shpeshtoni leximin e Kur’anit, merruni me adhurime.

    Kur’ani është shërim nga të gjitha sëmundjet, kurse përmendja e Allahut e mbron robin nga çdo gjë që do ta dëmton, dhe ia zgjeron gjoksin dhe ia qetëson zemrën: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”. (Er-Ra’d: 28)

    Shejh Dr. Abdulmuhsin El Kasim

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • SËMUNDJA E DASHALIGËSISË

    SËMUNDJA E DASHALIGËSISË

    Gjen njerëz që zemrat e tyre janë ngurtësuar dhe gëzohen apo qeshen me fatkeqësitë dhe dëmet që u ndodhin vëllezërve të tyre myslimanë. Kjo vepër e tyre bie ndesh me mësimet e Islamit, duke u bazuar në hadithin që e përcjellë Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij!, se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “Nuk ka për të besuar plotësisht ndonjëri prej jush përderisa nuk e dëshiron për vëllain e tij atë që e dëshiron për vetveten.”

    Ditëve të sotme shohim njerëz me zemra të ngurta ku fatkeqësitë, sprovat dhe belatë e të tjerëve i kanë shndërruar në objekt talljeje dhe përqeshjeje.

    Të kënaqurit se fëmijët e fqinjit janë dobësuar në mësime dhe shkollë, të kënaqurit se fëmijët e dëmtojnë shërbëtorin në shtëpi, të kënaqurit me fatkeqësitë që i godasin kolegët e punës, të kënaqurit e gruas me një të keqe që i godet familjarët e burrit, me fatkeqësitë e ortakes së saj, apo se njëra nga shoqet e saj është divorcuar nga burri etj., të gjitha këto janë nga dukuritë e përhapura të përqeshjes dhe talljes me fatkeqësitë e të tjerëve.

    Le të kenë kujdes të tillët, sepse kjo është prej natyrës dhe cilësive të hipokritëve: “Nëse ju vjen ndonjë e mirë, ata i brengos, e nëse ju gjen ndonjë e keqe, ata gëzohen, por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që punojnë ata.” (AliImran: 120)

    Kur myslimanët shtoheshin, fitonin, gjenin përkrahje dhe bëheshin të fuqishëm, hipokritët mërziteshin, kurse kur myslimanët nuk shtoheshin në numër apo mundeshin prej armikut, për ndonjë urtësi që Allahu e kishte pas caktuar, hipokritët kënaqeshin me pamjet e tilla.

    Shkaku i animit të disa shpirtrave drejt dashakeqësisë dhe dashaligësisë ndaj atij që i ka ndëshkuar apo u ka bërë padrejtësi, Allahu urdhëroi që shpagimi në ndëshkim të jetë i njëjtë, pa mos i tejkaluar apo shkelë kufijtë, dhe tha: “Pra, kushdo që ju sulmon, edhe ju keni të drejtë ta sulmoni atë, ashtu siç ju sulmoi juve! Frikësojuni Allahut dhe dijeni se Allahu është me ata që ruhen nga të këqijat.” (El-Bekare: 194) Kjo, sepse “shpirtit kur zakonisht i jepet hapësirë për të ndëshkuar, dashakeqësia bie shkak të mos ndalet aty ku duhet dhe t’i tejkalojë kufijtë, prandaj Allahu urdhëroi për pasimin dhe ruajtjen e devotshmërisë, e që nënkupton të ndalurit te kufijtë e Tij dhe mos tejkalimin e tyre.”

    Ajo që ndalohet është dashakeqësia e tepërt që shkakton tejkalimin e kufijve në ndëshkime dhe kjo është ajo që e sqaruam më lart.

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Marrë nga libri: Ngushëllimi i shpirtrave dhe largimi i mërzisë)

  • LEHTËSIMI I GJENDJES SË HALLEXHIUT DHE BORXHLIUT

    LEHTËSIMI I GJENDJES SË HALLEXHIUT DHE BORXHLIUT

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, i ndihmonte atij që e kaplonte brenga e borxhit dhe e mësonte se si ta kthejë atë.

    Një ditë nga ditët, i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, hyri në xhami dhe brenda e takoi një burrë prej ensarëve me emrin Ebu Umame, Allahu qoftë i kënaqur prej tij!, dhe i tha: “O Ebu Umame, pse po të shoh të ulur në xhami kur tani nuk është koha e namazit?”“Brengat dhe borxhi më detyruan, o i Dërguar i Allahut”, – ia kthehu Ebu Umame. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, i tha: “A dëshiron t’i mësoj disa fjalë që nëse i thua, Allahu do ta largojë prej teje brengën dhe do ta shlyejë borxhin?” Ebu Umame tha: “Po, o i Dërguar i Allahut!” I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, tha: “Kur gdhihesh në mëngjes dhe kur vjen mbrëmja thuaj: “Allahumme inni eudhu bike minel hemmi vel hazen, ve eudhu bike minel axhzi vel keseli, ve eudhu bike minel xhubni vel buhli, ve eudhu bike min galebeti ed dejni ve kahri errixhali” (Allahu im, kërkoj mbrojtjen Tënde nga brengat dhe dëshpërimi, kërkoj mbrojtjen Tënde nga paaftësia dhe dembelia, kërkoj mbrojtjen Tënde nga frika dhe koprracia, si dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga zhytja në borxhe dhe mposhtja prej njerëzve). “Veprova ashtu si më porositi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe Allahu më largoi brengën dhe e largoi prej meje borxhin tim”, – rrëfen më pas Ebu Umame!*

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Marrë nga libri: Ngushëllimi i shpirtrave dhe largimi i mërzisë)

    * Ebu Davudi (1555). Shevkani tha: “Nuk ka vërejtje në zinxhirin e këtij hadithi”,Tuhfetu edh Dhakirin (321)

  • MË I MIRI PREJ JUSH ËSHTË AI QË E MËSON KUR’ANIN DHE UA MËSON TË TJERËVE

    MË I MIRI PREJ JUSH ËSHTË AI QË E MËSON KUR’ANIN DHE UA MËSON TË TJERËVE

    Kjo temë është një dëshirë e imja që mes një përmbledhje përsiatjesh ta komentoj hadithin që e transmeton Othman b. Afani, radijallahu anhu, prej Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, ku thotë: “ Më i miri prej jush është ai i cili e mëson Kur’anin dhe ua mëson të tjerëve” (Shënon Buhariu), duke kërkuar prej Allahut, azze ue xhel, që t’i bëjë dobi atij që e ka shkruar këtë temë dhe atij që e lexon.

    Përsiatja e parë: Nga hadithi nënkuptohet se dituritë dallohen mes vete në mirësi dhe meritë.

    Përsiatja e dytë: Nga hadithi mësojmë se dituria më e mirë është mësimi i kuptimit të Kur’anit dhe veprimi me atë që e mëson, e jo mësimi i tij përmendësh pa e ditur kuptimin e tij. Thotë Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë: Obligohet të dihet se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ua ka sqaruar shokëve të tij kuptimin e Kur’anit sikurse ua ka sqaruar fjalët e tij, dhe fjala e Allahut, azze ue xhel: “Ty ta zbritëm Kur’anin që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kur’anin)(En-Nahl: 44), i përfshin të dyja kuptimet.

     

    Ka thënë Abdurrahman Sulemi: Na treguan ata të cilët na e lexonin Kur’anin, si Othman b. Afani dhe Abdullah b. Mesudi e të tjerët, se nuk i kalonin dhjetë ajete çka i mësonin me Pejgamberin, salallahu alejhi ve selem, derisa nuk e mësonin kuptimin e tyre dhe nuk punonin me ato ajete. Dhe thanë: Kështu i mësuam të gjitha së bashku, Kur’anin, kuptimin e tij dhe punën me të.

     

    Përsiatja e tretë: Nga hadithi mësohet se bamirësia e mësuesit të Kur’anit dhe atij që e mëson nuk është afatshkurtra dhe e përkufizuar me periudha dhe vende, por ajo është e përhershme, e vazhdueshme në çdo vend dhe çdo periudhë. Ajo është mirëbërësi në këtë botë, në varr dhe në ahiret, dhe këtë e vërteton fjala e Pejgamberit, sal-allahu alejhi ve selem: “Le të jetë imam ai i cili di më së miri leximin e Kur’anit.” (Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibën Maxheh)

    Vlera e imamit është e lartë dhe respektuese. Prandaj, më meritor për këtë pozitë është ai i cili e njeh më së miri Kur’anin, për shkak vlerës dhe pozitës së lartë që e ka tek Allahu, azze ue xhel, e jo pasaniku për shkak pasurisë që e posedon, pozitës që sundon apo prejardhjes që e ka.

     

    Kurse, argument për bamirësin në varr, e kemi atë që ndodhi në luftën e Uhudit. Numri i dëshmorëve ishte i madh, saqë sahabët e kishin vështirë ta varrosin secilin prej tyre në varr të veçantë. Vendosën t’i varrosin nga dy persona në një varr, por para se t’i varrosnin i pyeste Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, shokët e tij, se cili prej tyre dinte më së tepërmi Kur’an. Për atë që i tregonin se ishte më i dituri i jepte përparësi në varr. (Shënon Buhariu)

     

    Kurse argument për mirëbërësin në ahiret, është fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, ku thotë: “Lexuesit të Kur’anit kur hyn në Xhenet do t’i thuhet: Lexo dhe ngrihu. Fillon të lexojë dhe për çdo ajet të lexuar ngrihet për një shkallë derisa ta mbarojë leximin”. (Ahmedi)

     

    Me një hadith tjetër transmetohet: “I thuhet lexuesit të Kur’anit : Lexo, ngrihu dhe recito ashtu siç recitove në dynja, se me të vërtet vendbanimi i yt do të jetë aty ku do të përfundosh ajetin e fundit”. (Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu)

     

    Prandaj, ti o besimtar kujdesu dhe sakrifikohu që ta arrish këtë bamirësi, por para se të gjithash kërko prej Zotit tënd përkrahje dhe palëkundshmëri, se pa dyshim në fund do të dalësh fitimtar.

     

    Përsiatja e katërt: Nga hadithi mësojmë se përpikëria e vazhdueshme në mësimin e Kur’anit dhe mësimdhënien e tij, kujdesi prej asaj që e njollos dhe e zbeh atë, janë shkaktar për mbijetesën e kësaj bamirësie të madhe.

     

    Hyrën disa persona tek Kirz b. Vebreh të cilin e gjetën duke qarë dhe duke thënë: Asnjëherë nuk kam hasur probleme në leximin e Kur’anit, por sot nuk mundem të lexoj, e kjo është si pasojë e mëkatit tim, të cilin nuk mundem ta zbuloj se ku e kam bërë.

     

    Përsiatja e pestë: Hadithi na mëson se prej fryteve të asaj bamirësie është lehtësimi i nxjerrjes të argumenteve dhe dëshmive prej ajeteve të Kur’anit. Thotë Ebu Abdullah b. Bishr el Katani: Nuk kam parë njeri që më së miri i nxirrte argumentet prej Kur’anit se Ebi Sehl b. Zijad.

     

    Ishte fqinji ynë. Tërë natën e kalonte në namaz dhe lexim të Kur’anit, saqë për shkak leximit të tepërt të Kur’anit, kur fliste i nxirrte argumentet sikur ta kishte Kur’anin para tij të hapur.

     

    Përsiatja e gjashtë: Prej fryteve të asaj bamirësie po ashtu është edhe bekimi në marrjen e diturisë. Porositi dijetari i fikut Ibrahim b. Abdulvahid el Makdesi Abas b. Abdudajmin, duke i thënë: Lexo së tepërmi Kur’an dhe mos e neglizho, se Kur’ani ta lehtëson atë që e kërkon, aq sa ti atë e lexon. Pastaj i tha: E kam vërejtur dhe provuar shumë herë, se kur e lexoja shumë Kur’anin, më lehtësohej të dëgjoj dhe shkruaj sa më shumë hadithe të Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, kurse kur e neglizhoja ndodhte e kundërta.

     

    Përsiatja e shtatë: Nga hadithi mësojmë se paraqitja e gjurmëve të shëmbëlltyrës në mësuesin e Kur’anit, aludon në fitimin e asaj bamirësie.

     

    I përshkruante imam Dhehebiu Allahu e mëshiroftë, disa prej lexuesve të i cilët i kishte takuar në kohën e tij, prej tyre:

     

    – Ibrahim b. Felah, ishte njeri i devotshëm, i mirë, i respektuar dhe i nderuar, kishte pamje të bukur, e njihte mirë hadithin e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, kishte merita të shumta, ishte i njohur me drejtësi dhe me fenë e tij.

     

    -Jahja b. Ahmed, ishte njohës i leximeve të Kur’anit, besimtar i mirë, ishte shumë i qetë, modest dhe turpërohej shumë.

     

    -Ahmed b. Mu’min, ishte prej dijetarëve më të dalluar në besim dhe modesti, në merita dhe njohje të leximeve të Kur’anit (kiraete).

     

    Përsiatja e tetë: Fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem: “E ka mësuar Kur’anin dhe ua ka mësuar të tjerëve”, në vete përmban durim dhe përqendrim për mësuesin dhe atij që e mëson Kur’anin. Kjo është prej gjërave që kërkon mund e sakrificë shpirtërore, ku si rezultat i kësaj sakrifice vjen edhe fitorja.

     

    “E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e bamirësve.” (El-Ankebut: 69)

     

    I biri i Omerit, Abdullahu, Allahu i mëshiroftë, qëndroi disa vite vetëm në leximin e sures Bekare.

     

    Tha Ebu Bekr b. Ajash: Lexoja Kur’anin tek Asim b. Ebi Nuxhudi dhe më urdhëronte t’i lexoja atij çdo ditë vetëm nga një ajet. Më tha se kjo është më e përshtatshme për ty. Frikohesha se do të vdes hoxha i im dhe nuk do të mund ta mbaroj Kur’anin, prandaj kërkoja prej tij që të lexoj më tepër, që në fund të pranoj që t’i lexoj atij vetëm nga pesë ajete.

     

    Kjo dallon sipas asaj që e sheh mësuesi, se çka është më e dobishme për nxënësin e tij. Allahu i mëshiroftë të parët tanë për ambiciet e tyre të mëdha që i kishin për mësimin e librit të Allahut.

     

    Prej ambiciozëve në mësimin e Kur’anit vlen të përmendet biografia e Muhamed b. Ahmed el Mukrij, i cili qëndroi një kohë të gjatë duke i mësuar ata çka nuk dinin leximin e Kur’anit. Shumë njerëz e mbaruan leximin tek ai duke vazhduar kështu shumë vite me radhë.

     

    Tha el Kadi Ebu el Hasen: Ishte mësues mbi gjashtëdhjetë vite dhe mësoi shumë njerëz.

    Prej rrëfimeve të këndshme që rrëfehet për ambicie, durim dhe përqendrim në kërkimin e diturisë, vlen të përmendet atë që e cek Imam Dhehebiu në biografin e Sulejm ibën Ejubit, ku thotë:

     

    “Tha Sehl b. Bishr: Na tregoi Sulejmi se në fëmijërinë e tij kur ishte afro dhjet vjetësh, jetonte në një vend të quajtur R’aj. Një ditë prej ditëve në atë qytet erdhën disa dijetarë, e Sulejmi ishte në xhami duke lexuar Kur’an. Iu afrua njëri prej tyre dhe i tha: Afrohu dhe lexo. Rrëfen Sulejmi dhe thotë: Tentova të lexoj, por në atë moment mu lidh gjuha dhe nuk munda fare të lexoj. Më tha: A ke nënë? I thashë: Po. Tha: Thuaj asaj që të bëjë dua për ty, që Allahu, azze ue xhel, të furnizoj me lexim të Kur’anit dhe me dituri. I thashë se do t’i them, e pastaj u ktheva në shtëpi dhe kërkova prej saj që të bëjë dua për mua. Nëna ime e pranoi kërkesën time dhe bëri dua për mua. Unë pasi që u rrita, e mora rrugën për në Bagdad që të kërkoj dituri, dhe atje e mësova gjuhën arabe dhe fikhun, e pastaj u ktheva në vendlindje.

    Një ditë prej ditëve isha në xhami duke e komentuar “Muhtesar el Mizni” (libër i fikhut shafij) erdhi i njëjti dijetar që më tha të kthehem te nëna ime dhe ajo të bëj dua për mua. Na përshëndeti dhe u ul në ndejën tonë, por mua nuk më njihte fare. Dëgjonte duke e komentuar librin, por shihej qartë se nuk kuptonte fare nga ajo çka komentonim. Pastaj, tha i habitur: Kur mësohet ajo që ju e komentoni? Dëshirova ti them: Si të kesh nënë, kthehu tek ajo dhe thuaj që të bën dua për ty, por u turpërova.

     

    Përsiatja e nëntë: Nga hadithi nënkuptohet se në ato vende ku mësohet Kur’ani ka mirësi të shumta dhe argument për saktësinë e asaj çka e thamë është fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, i cili thotë: “Ata njerëz që tubohen në shtëpinë e Allahut (xhami), që të lexojnë Librin e Allahut dhe ta studiojnë në mes vete, do t’ju vijë atyre paqja (qetësia) e plotë e Allahut dhe do t’i mbulojë mëshira e Tij dhe melaqet do të kujdesen për sigurimin e tyre e Allahu do t’i lavdërojë tek ata që i ka pranë”. (Ebu Davudi)

     

    Përsiatja e dhjetë: Nga hadithi mësojmë se mësimi i Kur’anit dhe mësimdhënia e tij bëhet në xhami. Të parët tanë e kanë praktikuar këtë metodë dhe e kanë përcjellë brez pas brezi, në çdo kohë dhe vend deri në ditët e sotme.

     

    Thotë Suvejd b. Abdulaziz: Ebu Derda pasi që e falte namazin e drekës në xhamin e Damaskut, i afroheshin njerëzit që t’i lexojnë. Formonte grupe të përbëra prej dhjetë personave dhe çdo grup kishte përgjegjësinë e vetë që i kontrollon. Në rast se gabonte ndonjëri prej grupit drejtoheshin tek përgjegjësi i grupit që ta përmirësoj, kurse në rast se gabonte përgjegjësi i grupit, kthehej tek Ebu Derda që ta përmirësoj. Thotë Suvejdi se ibën Amir ishte përgjegjës i njërit prej grupeve, dhe se ai e zëvendësoi Ebu Derdan pas vdekjes së tij.

     

    Thotë Sam b. Mishkem: Më urdhëroj Ebu Derda që t’i numëroj se sa persona prezantojnë tek ai në xhami. Numri i atyre që i numërove ishte njëmijë e gjashtëqind persona dhe çdo dhjetë prej tyre kishin nga një përgjegjës.

     

    Ebu Derda ishte përgjegjësi kryesor i të gjithëve, dhe kur njëri prej tyre e zotëronte leximin u transferonte tek Ebu Derda Allahu qoftë i kënaqur me të.

     

    Në fund e lus Allahun, azze ue xhel, të na mësojë atë që na sjell dobi dhe të na sjell dobi në atë çka na mësoj dhe të na shtojë diturinë.

    Amin

     

    Abdulaziz b. Muhamed b. Abdullah Sed’han

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

     

     

  • ZILIA DHE DËMI I SAJ

    ZILIA DHE DËMI I SAJ

    Zilia është cilësi e qortuar dhe e ligë. Allahu na paralajmëroi se është nga cilësitë më të mëdha të sherrit dhe na paralajmëroi që të mos përshkruhemi me këtë cilësi dhe t’i pastrojmë shpirtrat nga ajo.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, paralajmëroi duke thënë: “Mos ia keni zili njëri-tjetrit”.

    Me një hadith tjetër: “Kanë rënë te ju sëmundjet e popujve para jush, zilia dhe urrejtja”.

    Me një hadith tjetër: “Ruajuni zilisë! Ajo i djeg të mirat, ashtu si i djeg zjarri drunjtë apo barin”.

    Zilia është cilësia e njerëzve më të këqij. Është cilësi e Iblisit, i cili ia kishte zili Ademit, alejhi selam, ngase Allahu e krijoi me duart e Veta, melekët i ranë në sexhde dhe e bëri të jetë banor i Xhenetit. Nga zilia që e kishte, nuk e respektoi urdhrin e Allahut t’i bie Ademit, alejhi selam, në sexhde, dhe për këtë u largua nga mëshira e Tij, mirëpo, arriti me dredhitë e tij ta largon Ademin, alejhi selam, nga Xheneti.

    Zilia ishte shkaku që e nxiti njërin nga bijtë e Ademit ta vret të vëllain padrejtësisht, kur Allahu i dhuroi begati dhe ia pranoi atij kurbanin. Allahu na e qartësoi lajmin e tyre në Kur’an dhe na paralajmëroi nga kjo sëmundje dhe nga gjurmët e saj!

    Zilia është cilësi e çifutëve. Allahu e paraqiti në shumë vende në Kur’an se, çifutët ia kishin zili të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për profecinë dhe për pozitën e lartë të cilën ia dhuroi Allahu. Për këtë arsye e mohuan, edhe pse e dinin mirë se ai ishte i Dërguar i Allahut. Ata ia kanë zili edhe këtij umeti për atë që ia dhuroi Allahu nga udhëzimi dhe besimi. Allahu thotë: “Shumë nga ithtarët e Librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ata”. (El-Bekare: 109)

    Zili do të thotë të urresh arritjen e një begatie apo të mire deri te tjetri, dhe ti, të shpresosh që ajo të largohet nga ai.

    Zilia lë gjurmë të këqija:

    – Kundërshtimi i Allahut në përcaktimin e Tij, akuzimi i Allahut në ndarjen e rizkut mes robërve të Tij, ngase, ziliqari e sheh se, tjetri nuk është më meritor se ai për atë që ia dha Allahu nga furnizimi.

    – Ziliqari e mohon urtësinë e Allahut në drejtimin e çështjeve. Allahu jep dhe merr për një urtësi madhështore, kurse ziliqari e mohon atë urtësi.

    – Zilia e trashëgon urrejtjen mes njerëzve dhe ziliqari e urren tjetrin për shkak zilisë së tij. Kjo bie ndesh me detyrshmërinë e vëllazërisë mes besimtarëve. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia keni zili njëri-tjetrit, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit (gjatë zemërimit), as mos i shkëputni marrëdhëniet tuaja dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër të mirëfilltë”.

    Dëmet e zilisë:

    – Zilia e nxit ziliqarin të tenton që t’ia largojë begatinë atij që e ka zili në çfarëdo mënyre, qoftë ajo edhe me vrasjen e tij, ashtu siç na lajmëroi Allahu për dy bijtë e Ademit, alejhi selam, dhe tha: “Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit”. (El-Maide: 27) Në fund, e bëri krimin më të madh duke e vra të vëllain, dhe duke e derdh gjakun i pari në tokë, kështu që ai do të merr një pjesë të gjynahut mbi supet e veta për çdo shpirt që do të vritet padrejtësish deri në Ditën e Kiametit. Sebepi i gjithë kësaj dhe ajo që e nxiti ishte zilia.

    – E pengon ziliqarin ta pranojë të vërtetën kur vjen nga ana e atij që e ka zili. Kjo e bën të vazhdon në të kotën, ku në të është shkatërrimi i tij, ashtu si u bë edhe me Iblisin, ku nga zilia nuk i ra në sexhde Ademit, alejhi selam, dhe nuk e respektoi urdhrin e Allahut, dhe si ndëshkim, u largua nga mëshira e Allahut dhe u mallkua përgjithmonë.

    – E nxit ziliqarin të bie në përgojim dhe bartje të fjalëve, duke e përgojuar dhe duke bartë fjalë dhe duke shpifur për atë që e ka zili. Përgojimi dhe bartja e fjalëve janë dy cilësi të liga dhe mëkate të mëdha!

    – Zilia e nxit ziliqarin të bëj atë që është e ndaluar me fe. Ziliqari, i verbëruar nga zilia e tij, ka mundësi që vëllain e vet musliman ta dëmtojë në tregti, në shitblerje, në fejesë dhe martesë apo në punë. E tëra kjo, e bën që të mirat e tij dhe shpërblimet të digjen, ashtu siç tha edhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Ruajuni zilisë! Ajo i djeg të mirat, ashtu si i djeg zjarri drunjtë apo barin”.

    Nga dëmet e zilisë; e bën që ziliqari të jetë përherë në brengë dhe pikëllim kur i sheh begatitë që Allahu ia zbret robërve të Tij, kurse ai, nuk e do atë dhe e urren, dhe s’mundet t’i përballon, dhe përfshihet nga brenga dhe pikëllimi.

    Nga dëmet e zilisë; zilia është sebep i shkatërrimit të shoqërisë. Prandaj i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kanë rënë te ju sëmundjet e popujve para jush, zilia dhe urrejtja”.

    O ju robërit e Allahut! Kush nga ju e gjen në vete se ka zili, le të shpejton në largimin e saj duke e rikujtuar se zilia është dëm për veten e tij, për fenë e tij dhe për dynjanë e tij, dhe se ai s’mundet t’i bëj dëm atij që e ka zili më shumë se atë që e ka caktuar Allahu për të. Le ta rikujtojë se çështjet janë në dorën e Allahut dhe se e tij mbetet të kërkon nga Allahu begatitë dhe mirësitë e Tij. Allahu thotë. “Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar e po ashtu edhe femrat do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar. Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë”. (En-Nisa: 32)

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline