Category: Probleme shpirtërore & shoqërore

  • ZBUKURIMI I LEJUAR DHE AI I NDALUAR

    ZBUKURIMI I LEJUAR DHE AI I NDALUAR

    Zbukurimi në kufijtë e të lejuarës është çështje e kërkuar për arsye se Allahu është i bukur dhe e do bukurinë. Zbukurimi bëhet në përmirësimin e trupit me marrjen e asaj që duhet të merret dhe me lënien e asaj që duhet të lihet.

    Ajo çka duhet të merret nga trupi e qartësoi i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, me një hadith të cilin na e përcjell Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Pesë sende janë nga natyra e fitres (natyrshmërisë së pastër): Pastrimi i vendeve të turpshme (mënjanimi i qimeve), bërja synet (rrethprerja), shkurtimi i mustaqeve, mënjanimi i qimeve nga nënsqetullat dhe shkurtimi i thonjve”.

    Këto pesë gjëra janë nga traditat e vjetra të cilat i zgjodhën të dërguarit dhe në të u pajtuan të gjitha legjislacionet, për arsye se me lënien e këtyre gjërave shëmtohet dhe deformohet trupi dhe i përngjan kafshëve dhe jobesimtarëve dhe është shkak për mbledhjen e fëlliqësirave dhe prezencën e erës së keqe. Me pastrim të vendeve të turpshme nënkuptojmë mënjanimin e qimeve nga pjesët intime të trupit dhe është e lejuar të përdoret çfarëdo forme vetëm që të arrihet qëllimi dhe mos të jetë e dëmshme për trupin, prandaj lejohet shkulja, prerja rruajtja ose ndonjë formë tjetër. Me bërjen synet është për qëllim prerja e lafshës që mbulon organin e mashkullit për arsye se mbetja e saj bën që të mblidhen papastërti përreth organit dhe me atë të shkaktohen sëmundje të ndryshme. Me shkurtim të mustaqeve është për qëllim shkurtimi i tyre e jo rruajtja e tyre. Me shkulje të qimeve të sqetullave është për qëllim mënjanimi i qimeve nga sqetullat dhe lejohet shkulja, rruajtja apo prerja e tyre. Me prerjen e thonjve është për qëllim prerja apo shkurtimi i tyre.

    Ajo që ligjësohet të mbetet është mjekra ashtu siç ka ardhur në librat e imam Buharit dhe Muslimit, Allahu i mëshiroftë, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Prisni (shkurtoni) mustaqet tuaja dhe lëshoni (rrisni) mjekrat tuaja, ndryshoni nga idhujtarët”. Me një transmetim tjetër: ““Shkurtoni mustaqet tuaja dhe lëshoni mjekrat tuaja, ndryshoni nga zjarrputistët”, dhe me një transmetim tjetër: “Kundërshtoni jobesimtarët, shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat”. Të gjitha transmetimit aludojnë se lëshimi i mjekrës është detyrim kurse rruajtja e saj haram, ashtu siç është shkurtimi i mustaqeve detyrim dhe zgjatja e tyre haram, mirëpo shejtani ua zbukuroi shumicës së njerëzve imitimin e jobesimtarëve në këtë vepër dhe kundërshtimin e traditës së të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe filluan t’i rruajnë mjekrat e tyre dhe t’i zgjasin mustaqet e tyre. Po ashtu një grup njerëzish e kundërshtojnë traditën e të Dërguarit, alejhi salatu ue selam, sa i përket ngjyrosjes së mjekrës dhe qimeve të bardha në të. Prej Sunetit është që mjekra mos të ngjyroset me ngjyrë të zezë po të ngjyroset me ngjyra tjera dhe ngjyrosja me ngjyrë të zezë është e ndaluar dhe është një lloj mashtrimi për arsye se dëshiron të paraqitesh më i ri në moshë në sytë e të tjerëve.

    Disa grave shejtani ua zbukuron rruajtjen e vetullave kurse këtë e ka ndaluar rreptësisht i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe e ka mallkuar atë që e vepron dhe atë që ia vepron ndokujt tjetër ashtu siç ceket edhe në një hadith se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i ka mallkuar të gjithë ato femra që i shkulin vetullat dhe ato që kërkojnë t’ua shkulin të tjerët vetullat. Ato pretendojnë se me shkuljen e vetullave zbukurohen a në fakt kjo është ndryshim i krijesës së Allahut dhe kjo është një nga veprat që urdhëron shejtani për t’i vepruar ashtu siç e përmend edhe Allahu në Kur’an: “e pastaj do t’i urdhëroj që të ndryshojnë krijesën e Allahut”. (En-Nisa: 119) Po ashtu shejtani ua zbukuroi disa grave dhe disa të rinjve zgjatjen e thonjve, vepër e cila bie në kundërshtim me traditën e pastër të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ku tradita e tij ka qenë shkurtimi i thonjve. Të gjitha këto vepra që i veprojnë duke filluar nga rruajtja e mjekrës, zgjatja e mustaqeve, rritja e thonjve, shkulja e vetullave, ngjyrosja e mjekrës me ngjyrë të zezë, ata mendojnë se janë nga zbukurimi a në fakt ajo është shëmtim dhe deformim i pamjes së birit të Ademit dhe kundërshtim me natyrshmërinë, mirëpo shejtani ua zbukuroi këto vepra dhe ua bërë t’iu duket sikurse janë të mira ashtu siç tha Allahu në Kur’an: “A është ai, që veprat e veta të këqija i duken të mira (si ai që është i udhëzuar në rrugën e drejtë)?”. (Fatir: 8)

    Nga zbukurimi që e ka ligjësuar Allahu dhe i Dërguari i Ti, alejhi salatu ue selam, është zbukurimi në rroba dhe veshje. Allahu i Madhëruar thotë: “O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim; por, petku i devotshmërisë është më i miri. Këto janë disa shenja të Allahut, që ju të merrni këshillë”. (El-A’raf: 26) Allahu në këtë ajet na bëri me dije se robërve të Tij u dërgoi rroba që të mbulojnë vendet e turpshme si dhe për ta zbukuruar pamjen e jashtme të tyre dhe ua rikujtoi se petku i devotshmërisë i cili ia zbukuron robit pamjen e jashtme dhe të brendshme është petku më i mirë dhe tha. “por, petku i devotshmërisë është më i miri”. (El-A’raf: 26)  Allahu i Madhëruar në një ajet tjetër tha: “O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni!”. (El-A’raf: 31) dhe na bëri me dije se besimtarët janë të urdhëruar që t’i veshin rrobat më të bukura dhe më të mira kur të dalin para Allahut në namaz.

    Burrave u ndalohet veshja e mëndafshit dhe arit. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, me një hadith thotë: “Ari dhe mëndafshi janë lejuar për gratë (femrat) e Ummetit tim dhe janë ndaluar për burrat”. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, një ditë shikon në dorën e njërit prej shokëve të tij një unazë floriri, pasi ia heq nga dora dhe ia hedh në tokë thotë: “Njëri nga ju ka vendosur në gishtin e tij një rreth prej zjarri dhe ka ardhur këtu në mesin tonë”. Pasi që shkoi i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i thanë njeriut që ta merr unazën dhe të përfitojë diçka tjetër nga ai, mirëpo ai u përgjigj: “Jo pasha Allahun, nuk e marr më kurrë pasi që e gjuajti i Dërguari i Allahut”.

    Sot shumë nga burrat i pasojnë verbërisht traditat e popullit dhe rrethit ku jetojnë dhe në duart e tyre mbajnë unaza nga ari edhe pse i lexojnë apo i dëgjojnë argumentet se ajo në duart e tyre është zjarr i Xhehenemit, mirëpo shejtani ua zbukuron këtë vepër të ligë ashtu siç ua zbukuron edhe shumë grave veshjen e rrobave të shkurta apo të ngushta ose të tejdukshme të cilat nuk e mbulojnë trupin dhe i paraqesin pjesët e trupit të tyre. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, me një hadith thotë: “Ka dy lloje të banorëve të Zjarrit që ende nuk i kam parë: njerëz me kamxhik si bishti i lopës, me të cilin i rrahin njerëzit dhe gratë që janë të veshura, mirëpo të zhveshura, të cilat ecin me një ecje tërheqëse (joshëse, provokuese) dhe me diçka në kokat e tyre që duken si gungat e devesë, të anuara në një anë. Ata nuk do të hyjnë në Parajsë (Xhenet) dhe as që do ta nuhatin aromën e saj, edhe pse aroma e saj mund të nuhatet prej sa e sa larg”.

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, rreth kuptimit të fjalës “të veshura, mirëpo të zhveshura”, thotë se qëllimi është për ato gra që veshin rroba që ia përshkruan lëkurën ose i paraqet disa pjesë të trupit të saj, ato janë të veshura me rroba mirëpo në realitet të zhveshura. Kjo i shëmbëllen plot nga grave të sotme bashkëkohore të cilat veshin rroba të tejdukshme, të ngushta, të shkurta dhe i paraqesin bukuritë dhe trupat e tyre para burrave të huaj, Allahu na ruajt.

    O ju burra, frikojuni Allahut për gratë e juaja për arsye se ju jeni kryefamiljar dhe përgjegjës për to dhe do të llogariteni para Allahut. Dhe o ju gra, frikojuni Allahut se edhe ju do të llogariteni para Allahut.

    O ju njerëz, pastrimi dhe zbukurimi i trupit dhe i rrobave janë nga çështjet e kërkuara dhe të preferuara me Islam dhe i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e përshkroi rrugën e kërkuar në to me fjalë dhe me vepra. Allahu i Madhëruar tha: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm”. (El-Ahzab: 21) Neve nuk na lejohet që ta përshkruajmë për vetveten apo të importojnë nga jobesimtarët traditat dhe adetet të cilat e kundërshtojnë udhëzimin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ashtu siç edhe veprojnë shumë nga ata që i përngjasojnë jobesimtarët në traditat, adhurimet dhe adetet e tyre. Nga udhëzimi i të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte që t’i shkurton mustaqet dhe ta lëshon mjekrën dhe Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell dhe thotë se: “Na ka kufizuar Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, në shkurtimin e mustaqeve, në rruajtjen e qimeve nga pjesët intime, në shkuljen e qimeve nga sqetullat dhe në prerjen e thonjve që të mos i lëmë ato më shumë se dyzet ditë”.

    I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e pëlqente misvakun dhe e përdorte atë edhe kur ishte agjërueshëm, edhe kur merrte abdes, edhe para namazi, edhe kur hynte në shtëpi. I donte shumë parfumet dhe miskun dhe i përdorte shumë ato dhe ndaloi ngrënien e ushqimeve që japin erë të keqe si hudhrën, qepën, etj., para se të shkojë muslimani në xhami.

    E ligjësoi pastrimin e trupit ditën e Xhuma me qëllim të largimit të erës së keqe nga djersët dhe gjërave tjera, dhe zakonisht ai, alejhi salatu ue selam, e shokët e tij i vishnin rrobat që thureshin nga pambuku, e ndoshta edhe nga leshi dhe liri. Udhëzimi i tij në veshje ka qenë që të vesh atë që kishte mundësi ta vesh nga rrobat e pambukut nganjëherë, e nga leshi dhe liri herëve tjera. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Ata që ia ndalojnë vetvetes atë që ua ka lejuar Allahu nga veshjet, pijet dhe gratë me qëllim asketizmi dhe adhurimi, po ashtu në anën e kundërt ata që nuk veshin vetëm se rroba të mira dhe të shtrenjta, nuk hanë vetëm se ushqimet më të mira dhe i braktisin rrobat dhe ushqimet e dobëta nga mendjemadhësia dhe kryelartësia, këto dy grupe e kundërshtojnë udhëzimin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam”.

    Prandaj disa nga selefi thonin se i urrenin rrobat e famës qofshin ato të shtrenjta apo të lira. Përcillet me një hadith se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush e vesh një rrobë fame në dynja, Allahu do t’ia vesh Ditën e Gjykimit një rrobë poshtërimi dhe do të ja kall zjarrin asaj”. Ky dënim vjen për arsye se veshja e tyre ka qenë për famë dhe mendjemadhësi dhe kryelartësi, si dhe veshja e rrobave të lira nëse vishet me qëllim fame pronari i saj do të dënohet, kurse nëse vishet me qëllim modestie atëherë kjo është e lavdërueshme. E njëjta vlen edhe për rrobat e shtrenjta, nëse ajo vishet me qëllim zbukurimi dhe paraqitjes së begatisë së Allahut atëherë bëhet e lavdërueshme. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, me një hadith të cilin e përcjell ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “S’do të hyjë në Xhenet ai që ka në zemrën e tij mendjemadhësi sa një thermi (apo sa pesha e një milingone). Një burrë reagoi: “Vërtet që burri ka dëshirë ta ketë veshjen dhe mbathjet e mira”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tha: “Vërtet, Allahu është i bukur dhe e do bukurinë. Mendjemadhësi është të refuzosh të vërtetën dhe të përçmosh njerëzit”.

    O robër të Allahut, shejtani luajti me të bijtë e Ademit sa i takon çështjes së veshjes dhe i bëri të bien në kundërshtime me parimet fetare duke ia bërë një grupit të dashur zhveshjen në emër të qytetërimit dhe përparimit ashtu siç ua zbukuroi mushrikëve tavafin në Qabe duke qenë lakuriq dhe se ajo është adhurim që do të shpërblehen për të dhe se Allahu i urdhëroi që ashtu të veprojnë ashtu siç tha edhe Allahu në Kur’an: “Kur ata bëjnë një vepër të shëmtuar, thonë: “Ne i kemi gjetur prindërit tanë që i bënin, por edhe Allahu na ka urdhëruar kështu”. Thuaj: “Allahu nuk urdhëron të bëhen vepra të pahijshme! Përse thoni për Allahun atë që nuk e dini?”. (El-A’raf: 28)

    Allahu ua ktheu atyre duke ua bërë me dije se zbulimi i vendeve të turpshme është imoralitet të cilën Allahu e urren.

    Një grupit tjetër shejtani ua zbukuroi zbulimin e auretit gjatë lojërave sportive duke e konsideruar këtë si art dhe filluan t’i zbulojnë këmbët dhe vendet e turpshme të tyre.

    O ju musliman, frikojuni Allahut dhe kapuni për litarin e Islamit i cili nuk këputet kurrë dhe mos i imitoni jobesimtarët në traditat dhe adetet e tyre për arsye se ato e kundërshtojnë fenë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam.

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • VESVESET E SHEJTANIT DHE MBROJTJA PREJ TIJ

    VESVESET E SHEJTANIT DHE MBROJTJA PREJ TIJ

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kur dëshiron të lexosh Kur’anin, kërko mbrojtjen e Allahut kundër djallit të mallkuar, sepse, në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre. Pushteti i djallit është vetëm mbi ata, që i binden atij dhe adhurojnë zota të tjerë veç Allahut”. (En-Nahl: 98-100)

    Allahu njeriut ia krijoi një armik i cili ushqen armiqësi të egër ndaj birit të Ademit. Ky armik ec nëpër trupin e birit të Ademit sikur se gjaku dhe ka ndikim të madh dhe shumë hyrje deri tek zemra dhe gjoksi i njeriut. Ky armik është shejtani, të cilin Allahu e ngarkoi me një detyrë që ta shoqërojë të birin e Ademit prej lindjes e deri në vdekje. Shejtani njeriut tanë kohën i bën vesvese, kurthe, mëkatin ia zbukuron dhe parafytyron në mendjen e tij derisa kjo ngjall pasion, pastaj pasioni ngjall ide, ideja ngjall epsh, epshi ngjall dëshirë, dëshirë kjo e cila ia bën të harron dëmin dhe dënimin e mëkatit, para syve nuk sheh tjetër vetëm se mëkatin dhe kënaqësinë e tij, derisa shndërrohet në vendosmëri të pakundërshtueshme. I biri i Ademit atëherë e dërgon ushtrinë e tij në kërkim të mëkatit, ndërsa shejtani i dërgon ndihmë dhe mbështetje. Në rast se ushtria demoralizohet shejtani i jep kurajë të vazhdon, në rast se vonohet e nuk ngutet shejtani e nxit dhe i jep përkrahje, derisa e drejton robin ka mëkati duke ia organizuar takimin me të nëpërmjet hileve të zbukuruara dhe kurtheve të përsosura. Urvetu ibën Ruvejm, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Isa, alejhi selam, kërkoi prej Zotit të tij t’ia tregojë vendin e shejtanit në trupin e birit të Ademit. Kur iu paraqit vendqëndrimi i tij, e pa se kokën e kishte të gjarprit të vendosur mbi thelbin e zemrës, në rast se robi e përmendte Zotin e tij shejtani u fshehte, në rast se nuk e përmendte e vendonte kokën mbi thelbin e zemrës së robit, i fliste dhe i nxiste dëshira”.

    Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Ali ibën Husejnit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tregon se Safija, bashkëshortja e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, i ka treguar atij se ajo ka shkuar për të vizituar të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, në xhami, kur ai ka qenë në Itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Ajo foli pak me të, pastaj u ngrit të kthehet në shtëpi. Edhe Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u ngrit dhe e shoqëroi atë deri te porta e xhamisë përballë derës së Umu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, kur dy burra nga ensarët kaluan andej dhe e përshëndetën të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam. Ai u foli: “Ngadalë! (Mos u nxitoni!) Ajo është (bashkëshortja ime), Safija bint Hujej!” Ata të dy thanë: “Subhanallah (Lavdi i qoftë Allahut! Si mund të guxojmë të mendojmë ndonjë ligësi), o i Dërguari i Allahut!” Ata e ndjenë këtë (dhe sikur u rënduan). Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u tha: “Shejtani shkon në çdo pjesë të trupit të njeriut ashtu si gjaku. Pata frikë se mos shejtani do t’ju shtie ndonjë mendim të lig në zemrat (e mendjet) tuaja.”

    Po ashtu imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, e përcjell një hadith prej Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tregon se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur thirret ezani për namaz, shejtani ia mbath me të katra dhe nxjerr erë me zë, që të mos e dëgjojë ezanin. Kur mbaron thirrja e ezanit, ai kthehet prapë, por përsëri ia mbath të ikë kur thirret ikameti, por kur ai mbaron, ai përsëri vjen derisa pëshpërit në zemrën e njeriut (për t’ia hequr vëmendjen nga namazi) duke e bërë atë të kujtojë gjëra të cilat ai as nuk i kishte ndërmend përpara namazit duke i thënë: “Kujto këtë, kujto atë”, derisa njeriu vazhdon të falet duke e bërë të harrojë sa rekat namaz ka falur”.

    Prandaj Allahu na urdhëroi të kërkojmë mbrojtje prej sherrit të shejtanit, ndërsa vesveset janë prej sherrit më të madh të tij.

    Prej sherrit të tij po ashtu është vjedhja e pasurisë së njerëzve. Çdo ushqim ose pije ku në të nuk përmendet emri i Allahut shejtani e ka privilegjin që të vjedh hise prej tij. Në shtëpinë ku nuk përmendet emri i Allahut shejtani e ha ushqimin e njerëzve pa lejen e tyre dhe strehohet në shtëpi pa lejen e tyre. Ibën Ebi Dunja, Allahu e mëshiroftë, transmeton prej selefit se: “Një shejtan e kishte takuar një shejtan tjetër të cilit i thotë: Më dukesh shumë i dobët? I përgjigjet: Unë e shoqëroj një njeri tanë kohën i cili kur ha e përmend emrin e Allahut dhe unë nuk ha me të, kur pi e përmend emrin e Allahut dhe unë nuk pi me të, kur hy në shtëpi e përmend Allahun dhe unë rri jashtë, nuk mundem të hy në atë shtëpi. I thotë shejtani tjetër: Unë e shoqëroj një njeri i cili kur ha nuk e përmend emrin e Allahut dhe unë ha së bashku me të, kur pi nuk e përmend emrin e Allahut dhe unë pi së bashku me të, kur hy në shtëpi nuk e përmend emrin e Allahut dhe unë hy së bashku me të, kur bën marrëdhënie me gruan e tij nuk e përmend emrin e Allahut dhe unë bëj marrëdhënie me gruan e tij”.

    Prej sherrit të tij po ashtu është se i shpalos të metat e njerëzve. E urdhëron robin të bën mëkat, pastaj u bën vesvese të tjerëve për mëkatin që e ka vepruar ky rob dhe në fund ata fillojnë të flasin për të dhe për mëkatin e tij.

    Prej sherrit të tij po ashtu është se kur robi fle shejtani i lidh në kokë nyje të cilat e pengojnë të zgjohet për namaz. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Gjatë gjumit tuaj, shejtani i lidh gjithkujt tri nyje pas koke dhe i fryn çdo nyjës duke thënë: “Ke natë të gjatë, fli pra”. Kur ky njeri zgjohet dhe kujton Allahun, atëherë zgjidhet një nyje, në qoftë se merr avdes, zgjidhet edhe një nyje, në qoftë se falet, zgjidhet edhe nyja e fundit dhe ngrihet i gjallë dhe në gjendje të mirë shpirtërore; kurse në të kundërt, ngrihet në gjendje të keqe shpirtërore dhe i plogësht”.

    Prej sherrit të tij po ashtu është se urinon në veshin e robit që të mos e dëgjojë ezanin dhe të flejë deri në mëngjes. Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, i përmendën një burrë dhe i thanë se ka fjetur deri në mëngjes vonë dhe nuk e ka falur namazin e agimit. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tha: “Në veshin e tij ka urinuar shejtani”.

    Prej sherrit të tij po ashtu është se i del të birit të Ademit përpara çdo rrugë të hairit dhe e pengon që të ecë nëpër të duke i vendosur pengesa dhe ndalesa të ndryshme që i ka në dispozicion. Mjafton prej sherrit të tij ajo që u betua në Allahun se do t’u zë pritë njerëzve në rrugën e Allahut, e do t’u qaset atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta. Sherri i tij arriti në atë gradë sa që e nxori Ademin, alejhi selam, prej Xhenetit dhe nuk u kënaq me kaq, por vazhdoi derisa e bëri kusht që prej njëmijë bijve të Ademit nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë do t’i hedh në Xhehenem. Edhe kjo nuk i mjaftoi derisa filloi të bëj kurthe e ta shkatërrojë thirrjen në fenë e Allahut në tokë duke synuar që ky të adhurohet përveç Allahut. Dëshira e tij më e madhe është që më tërë fuqinë e tij ta fikë dritën e Allahut dhe thirrjen në të, të thirr në shirk dhe ta fshijë teuhidin dhe të gjithë ata që thirrin në të.

    Nuk mundemi që llojet e sherrit të tij t’i përkufizojmë duke e pasur parasysh se ai është shkak i të gjithë sherreve në botë, mirëpo themelet e çdo sherri të tij janë gjashtë ku i biri i Ademit mund të bie viktimë e njërës ose më tepër prej tyre.

    Sherri i parë është sherri i kufrit dhe shirkut dhe armiqësisë ndaj Allahut dhe Pejgamberit, alejhi salatu ue selem. Shejtani mundohet njeriun ta bëjë mosbesimtar ose politeist, e nëse e arrin këtë e bën prej ushtarëve të tij dhe miqve të tij dhe prej thirrësve të Iblisit, e nëse nuk mund të arrijë këtë, kalon në fazën e dytë. Kjo është faza e risive (bidateve). Ai e mashtron njeriun duke e nxitur të shpikë dhe praktikojë bidate. Kjo është më e dashur tek ai se sa mëkatet dhe gjynahet, për shkak se kjo ia dëmton fenë dhe është vepër e vazhdueshme në të cilën vepruesi i saj mendon se vepron mirë dhe nuk pendohet prej saj, e në fakt kjo është mëkat dhe hapje e derës së kufrit dhe shirkut. Nëse arrin ta mashtrojë dhe ta bëjë prej pasuesve të risive atëherë e bën ushtar dhe shok të vetin, e nëse ky njeri edhe më tej është i përqendruar dhe është nga pasuesit e Sunetit, shejtani fillon fazën e tretë. Faza e tretë është faza e mëkateve të mëdha dhe mos dëgjueshmërisë. Shejtani është shumë i kujdesshëm që njeriun ta nxitë në veprimin e mëkateve të mëdha, posaçërisht nëse është prej dijetarëve të cilin e pasojnë njerëzit që kjo të ndikon në largimin e njerëzve prej tij, ose ta nxitë në përhapjen e mëkateve në shoqëri duke i bindur disa se kjo është rruga e drejtë dhe rruga që i afron tek Allahu, e në fakt kjo është rruga e Iblisit të mallkuar: “Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën”. (En-Nur: 19) Nëse nga kjo Allahu e mbron këtë njeri, shejtani edhe më tej nuk i humb shpresat. Kalon në fazën e katërt e cila është faza e mëkateve të vogla, të cilat nëse veprohen me të madhe dhe shtohen mund ta shkatërrojnë njeriun. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Keni shumë kujdes nga mëkatet që ju duken si të pavlera. Shembulli i mëkateve që ju duken të pavlera është si shembulli i një grupi njerëzve që kanë ndaluar në një luginë. Secili prej tyre mbledh degë pemësh derisa ato janë të mjaftueshme që të pjekin ushqimin e tyre. Po kështu janë edhe mëkatet që duken si të pavlera që kur mëkatari nuk i jep shumë rëndësi, ato e shkatërrojnë atë”.

    Nëse edhe nga këto mëkate do të shpëtojë (d.m.th. nëse ka kujdes që të mos bëjë mëkate të vogla, por edhe nëse i bën, shpejton në kërkimin e faljes ose përgjithmonë e lë këtë mëkat), atëherë shejtani fillon me metodë të re e cila është edhe faza e pestë. Kjo është që shejtani e preokupon njeriun me gjëra të lejuara (mubah) për të cilat nuk ka as shpërblim e as dënim, mirëpo njeriun gjithmonë e pengon që të preokupohet me punë serioze. Nëse nuk mund ta përfitojë edhe në këtë fazë kalon në fazën e gjashtë. Kjo fazë përfshin gjendjen kur njeriu duke bërë punë të mirë e lë pas dore punën që është edhe më e mirë se kjo. Duke bërë mirë e lë atë punë që është shumë më e mirë. P.sh. duke vepruar sunetet i lë farzet, preokupohet me sunete e nuk i kryen farzet.

    Shejtani kur nuk mundet të mbisundon mbi robin në të gjitha këto faza atëherë e përdor tërë ushtrinë e tij prej njerëzve dhe xhindeve duke e sulmuar të birin e Ademit me vesvese, kurthe, risi, devijime, degjenerime, etj., me qëllim që ta fikë dritën e Allahut dhe rrugën deri tek ajo. Besimtari në këtë rast e vendon parzmoren e luftës dhe nuk e largon prej tij deri në vdekje.

    O muslimanë, frikojuni Allahut dhe bëhuni të kujdesshëm prej armikut të Allahut dhe armikut të juaj. Dijeni se ata që i bëjnë vesvese njeriut janë dy llojesh: Njerëz dhe xhinde. Xhindet bëjnë vesvese në gjoksin e njeriut dhe po ashtu njerëzit bëjnë vesvese tek njeriu. Prandaj Allahu na urdhëroi që të kërkojmë mbrojtje prej sherreve të dy llojeve të shejtanëve, njerëzve dhe xhindeve.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve, Sundimtari i njerëzve, i Adhuruari (i vetëm me të drejtë) i njerëzve, nga sherri i djallit cytës që fshihet (pasi cyt) e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve, (qoftë ai djall) prej xhindeve apo njerëzve!”. (En-Nas: 1-6)

    Vëllezër besimtarë!

    Allahu besimtarëve i dha përkrahje nëpërmjet ushtarëve të Tij prej melekëve të cilët e shoqërojnë të birin e Ademit tanë kohën, e përforcojnë, e mbrojnë me lejen e Allahut dhe e urdhërojnë për të mirë. Po ashtu ia dha mendjen të logjikojë, besimin t’i ndihmojë dhe përforcojë, bindjen t’i zbulojë të vërtetat dhe këtë sprovë me shejtanin nuk e bëri për shkak se njeriun e urren, por për shkak se atë e do dhe e ndihmon dhe dëshiron që t’ia ngrit gradat e tij dhe t’ia sprovojë sinqeritetin e besimit të tij: “Ne do t’ju vëmë në provë ju, derisa t’i njohim ata midis jush, që luftojnë (në rrugën e drejtë) dhe durojnë, e derisa të provojmë ato që thuhen për veprat tuaja”. (Muhamed: 31)

    O muslimanë, Allahu prej mirësisë së Tij ndaj robit i bëri disa shkaqe të cilat e mbrojnë robin prej shejtanit dhe i ndihmojnë atij që nëpërmjet këtyre shkaqeve ta largojë shejtanin prej vetes. Në vazhdim do t’i përmendi dhjetë prej tyre:

    1. Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu prej shejtanit të mallkuar. (Duke thënë Eudhu bil-lahi mine shejtani rraxhim).
    2. Leximi i dy sureve: el Felek dhe Nas.
    3. Leximi i Ajetul Kursi (Bekare 255).
    4. Leximi i sures Bekare.
    5. Leximi i dy ajeteve të fundit prej sures Bekare (ajetet 285-286).
    6. Leximi i tre ajeteve të para të sures Gafir.
    7. Thënia njëqind herë në ditë: “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul Hamdu ve Huve ala kul-li shej’in Kadir”. (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).
    8. Përmendje e shpeshtë e Allahut, e sidomos thënia e dhikrit të mëngjesit dhe mbrëmjes.
    9. Marrja e abdesit dhe falja e namazit.
    10. Largimi prej shikimit të ndalur, largimi prej bisedave të kota, largimi prej përzierjes me njerëz mëkatarë e të shëmtuar dhe largimi prej vendeve ku qarkullojnë shejtanët, si tregjet, etj.

     

    Shejh Muhamed ibën Abdurrahman ibën Kasim

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

  • VDEKJA

    VDEKJA

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, i cili i shumëfishon veprat, i falë mëkatet dhe e pranon pendimin e robit. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

    O muslimanë, së pari e porosis veten e pastaj juve me devotshmëri. Devotshmëria është furnizimi më i mirë i dynjasë dhe ahiretit dhe me të robi shpëton Ditën e Kiametit: Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu”. (Esh-Shuara: 89)

    Allahu i Madhëruar thotë: Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese”. (Ali Imran: 185)

    Vdekja dhe ajo që do të ndodhë pas saj janë realitet. Vdekjen do ta shijojë çdo njëri nga ne, pasanik apo fukara, i shëndoshë apo i sëmurë, i madh apo i vogël, kryetar apo punëtor, nuk do t’i shpëtojë askush edhe nëse ik larg apo fshehët pas kodrave, ajo do ta arrijë: Kudo që të gjendeni, do t’ju arrijë vdekja, madje, qofshi edhe në kështjellat më të forta!”. (En-Nisa: 78)

    Vdekja edhe pse është e qartë dhe gjurmët e saj dallohen prapë mbetet fshehtësi nga fshehtësitë që i huton mendjet sepse çështja ndërlidhet me shpirtin. Allahu i Madhëruar thotë. Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështjen që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”. (El-Isra: 85)

    E sheh një të ri me shëndet të mirë dhe me trup të fortë se si për një çast të vogël bëhet trup pa jetë, i palëvizshëm. Iku rinia e tij u asgjësua fuqia e tij dhe nuk funksionojnë më veshi, syri, gjuha dhe shqisat e tij. Ndoshta ishte dijetar i njohur apo poet i shquar apo mjek i dalluar apo shpikës i veçuar mirëpo a ka kush mund ta ndal melekun e vdekjes që t’ua merr shpirtin kur t’ju përfundojë exheli. Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo popull ka afatin e vet. Prandaj, kur t’u vijë ai, ata nuk mund ta shtyjnë për asnjë çast e as ta shpejtojnë”. (Junus: 49)

    Njeriu duke i shfrytëzuar begatitë e Allahut në shëndet e pasuri dhe lozje e dëfrim, i vjen koha kur sëmundja e vdekjes e sulmon sikurse luani viktimën e tij dhe atëherë i dobësohet trupi, i ulet zëri, këmbët nuk e mbajnë, i humbet fuqia dhe pasi që ta lë këtë dynja i hapen fletushkat e veprave të tij. Sa e afërt është vdekja!! Çdo ditë na afrohet dhe ne i afrohemi asaj dhe mes neve dhe asaj nuk na ndan vetëm se ndërhyrja e exhelit dhe të radhitemi në mesin e të vdekurve. Vitet në realitet nuk janë tjetër vetëm se trëndafila që hapen e pastaj vyshken, apo fener që bën dritë e pastaj fiket apo yll që ndriçon e pastaj bëhet hi. Të gjithë ata që i pasojnë epshet dhe pasionet dhe shkojnë pas kënaqësive të ndaluara le ta dinë se një ditë do t’i bashkëngjiten banorëve të varrezave. Atë që e shohim nëpër varreza është argument i madh për të medituar. Bartësi i xhenazes sot, nesër do të bëhet për ta bartur atë dhe ai që kthehet në shtëpi nga varrezat, nesër do të kthehet përsëri në to ku do të mbetet përgjithmonë i vetmuar me atë që e ka punuar nga veprat e veta, e ato nëse kanë qenë të mirë do të shpërblehet e nëse kanë qenë të liga do të dënohet.

    Sot jemi dëshmitarë të disa njerëzve që lozin dhe dëfrehen apo janë sprovuar me syfaqësi dhe dëshirë për autoritet nga shkujdesja e madhe e tyre e cila ua ngurtësoi zemrat derisa e harruan jetën e varrit dhe të ahiretit. Ajo që ja vlen të ceket se i lumtur është ai që e di se vdekja do ta arrijë dhe se dheu do të bëhet shtrati i tij, varri vendbanimi i tij, Kiameti takimi i tij, Xheneti dhe Xhehenemi arritja e tij dhe ai përgatitet me përpikëri dhe veten e llogarit nga banorët e varrezave.

    Ai që e rikujton vdekjen i lehtësohet dynjaja dhe sprovat e saj, ambiciet i ka të mëdha, është larg syfaqësisë dhe kërkimit të famës dhe autoritetit dhe afër kërkimit të begative të Xhenetit të përhershëm. Të rikujtuarit e vdekjes nuk e ka për qëllim dëshpërimin e jetës së njeriut dhe izolimin i tij nga jeta dhe largimin nga puna dhe prodhimi, por për qëllim ka thirrjen për vepra sa më të shumta të mira dhe largimin nga gjynahet dhe zbutjen e zemrës së ngurtësuar. Ne e rikujtojmë vdekjen që t’i shtojmë veprat dhe adhurimet, agjërimin dhe namazin e natës, thirrjen në të mirë dhe ndalimin nga e keqja dhe ndihmesën e nevojtarëve.

    Abdurrahman ibën Mehdi, Allahu e mëshiroftë, thotë: Nëse i thoshin Hamad ibën Seleme, Allahu e mëshiroftë, se ti do të vdesësh nesër, ai nuk do të kishte mundësi të shtojë nga veprat asgjë. Kjo për arsye se ai kohën e vet e kishte të preokupuar të tërën me adhurime dhe nënshtrime.

    Përgatitja për vdekje të jetë me largimin nga të ligat dhe gjynahet dhe dhënien e të drejtave dhe largimin e padrejtësive. Përgatitja për vdekje të jetë me largimin e urrejtjeve dhe armiqësive nga zemrat. Përgatitja për vdekje të jetë me respektimin e prindërve dhe lidhjeve farefisnore.

    Përmendet se një nga selefi kishte thënë: “Nëse një orë e largoj nga unë rikujtimin e vdekjes, do të më shkatërrohet zemra”.

    Thuhet se: Kush e shpeshton përmendjen e vdekjes fisnikërohet me tri gjëra: Ngutet në pendim, zemrën e vet e bind dhe bëhet më aktiv në adhurim. Kurse kush e harron përmendjen e vdekjes pendimin e vonon, kënaqësinë e largon dhe bëhet dembel në adhurime.

    Kur do të përgatitet ai të cilin e kanë pushtuar retë e epshit dhe ecën nëpër luginën e shkujdesjes? Kur do të përgatitet ai të cilit nuk i intereson hallalli dhe harami? Kur do të përgatitet për vdekje ai që e ka braktisur Kur’anin dhe e ka harruar ta fal namazin e sabahut me xhemat dhe e ha kamatën dhe i ha të hollat e njerëzve me të padrejtë dhe bën imoralitet? Si do të jetë i përgatitur ai që përgojon dhe bart fjalë dhe zemra e tij është e mbushur me urrejtje dhe zili dhe e ka humbur jetën e tij duke i përcjellë të metat e muslimanëve dhe shpif në nderin e tyre?

    Pejgamberëve kur u afrohej vdekja kishin mundësi zgjedhjeje, mes mbetjes në dynja apo kalimit tek Zoti i tyre. Pa dyshim se të gjithë nga ta e zgjodhën kalimin tek Zoti i tyre dhe kjo ishte edhe zgjedhja e të Dërguarit tanë, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

    Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë. “Nuk i është marrë shpirti asnjë pejgamberi derisa ta sheh vendin e tij në Xhenet”.

    Kur u sëmurë erdhi Xhibrili dhe i tha se Allahu më ka dërguar të jap leje të zgjedhësh me qëndrimit në këtë botë dhe shkuarje te Allahu. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja qofshin mbi të, tha: “Gjithsesi se unë e zgjedh Allahun, gjithsesi se unë e zgjedh Allahun”.

    Në momentin e vdekjes dhe dhembjeve të saj, në varr dhe errësirën e tij, në Ditën e Kiametit dhe vështirësive të saj njerëzit ndahen në dy grupe: njëri grup nga ta përqendrohet gjatë sprovave dhe sigurohet gjatë frikës dhe përgëzohet me Xhenet, kurse grupi tjetër është grupi i nënçmuar dhe i poshtëruar: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar”. (Fusilet: 30)

    Besimtarëve të përqendruar në fenë e Allahut u zbresin melekët gjatë vdekjes së tyre, në varr dhe gjatë ringjalljes së tyre duke i qetësuar dhe duke i siguruar nga frika dhe vështirësitë e ahiretit dhe duke u thënë: Mos u frikoni nga ajo që ju vjen dhe mos u pikëlloni për atë që e latë në dynja nga familja, fëmijët dhe pasuria. Ne jemi kujdestarët e tyre dhe jemi kujdestarët e juaj në ahiret. Do ju mbrojmë nga egërsira e varrit dhe kur do t’i fryhet Surit dhe kur do të ringjalleni.

    Kurse jobesimtarëve kur do t’ju zbres vdekja dhe vështirësitë e saj do t’ju merret shpirti të poshtëruar dhe të nënçmuar: “Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij”. (El-En’am: 93) Në ato momente u shtohen mundimet e vështirësitë dhe vuajtjet e pikëllimet dhe dëshirojnë të kthehen në dynja: “Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: O Zoti im, më kthe”. (El-Mu’minun: 99)

    Katade, Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij ajeti thotë: “Pasha Allahun, ata nuk shpresojnë të kthehen tek familja apo tek pasuria dhe as të tubojnë nga dynjaja e të shkojnë pas epsheve, po ata shpresojnë që të kthehen ta bëjnë një vepër për Allah dhe t’i nënshtrohen urdhrave të Tij. Allahu e mëshiroftë atë që e vepron atë që e shpresojnë jobesimtarët kur ta shohin dënimin e zjarrit”.

    O muslimanë, njeriu, të cilit i është afruar momenti i vdekjes, është shumë nevojtar për përqendrim nga ana Allahut që fjala e fundit e tij me të cilën do të del nga kjo dynja të jetë: La ilahe il-lallah.

    Muadh ibën Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ai i cili thotë si fjalën e fundit la ilahe il-lallah hyn në Xhenet.”

    Pëlqehet që njeriu të shkon të prezanton tek ai që është afër vdekjes që t’ia rikujtojë dëshminë dhe po ashtu veprat e mira të tij me qëllim që të ketë mendim të mirë për Zotin e tij.

    Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Mos të vdesë askush nga ju vetëm se duke pasur mendim të mirë për Allahun”.

    Nga Suneti është që t’i përmenden të mirat që i ka bërë i vdekuri dhe t’i mbulohen të metat dhe veprat e liga të tij. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Mos i shani dhe mos i përgojoni të vdekurit, sepse ata e kanë arritur vendin e merituar për çfarë ata kanë kryer (nga veprat e tyre për t’u shpërblyer për ta).

    Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Kaloi një kortezh me një xhenaze dhe njerëzit e lavdëruan të ndjerin. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “U vendos për të.” Pastaj kaloi një kortezh me një tjetër xhenaze dhe njerëzit folën keq për të vdekurin. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “U vendos për të.” Omeri e pyeti të Dërguarin e Allahut dhe i tha: “Çfarë u vendos?” Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u përgjigj: “Për këtë ju folët mirë dhe e lavdëruat, kështu që për të u vendos (u pohua Xheneti), ndërsa për atë tjetrin ju folët keq, kështu që edhe për të u vendos (u pohua) Zjarri. Ju njerëz jeni dëshmitarët e Allahut në tokë.”

    Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nëse katër veta dëshmojnë për drejtësinë dhe përkushtimin e një muslimani, Allahu do t’i dhurojë atij Xhenetin.” E pyetën: “Po tre?” Ai tha: “Edhe tre.” Thanë: “Po dy?” Ai tha: “Edhe dy.” Pastaj nuk e pyetën më për një dëshmues.

    Nga të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit është që t’i falet namazi, të bëhet dua për të dhe të varroset. Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ”Kush përcjell një xhenaze derisa t’i falet namazi ai ka shpërblim një kirat, e kush qëndron derisa të varroset ai ka shpërblim dy kirate”. Ç’janë dy kirate? – e pyetën. Sa dy kodra të mëdha – u përgjigj i Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

    Ndërsa sipas imam Muslimit: ”Prej atyre të dyjave, më e vogla është sa kodra e Uhudit.”

    Shejh Dr. Abdulbarij eth Thubejti

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

  • TË KAPURIT PËR KURAN DHE SUNET

    TË KAPURIT PËR KURAN DHE SUNET

    Falënderimi i takon vetëm se Allahut që na bëri muslimanë dhe na dalloi nga jobesimtarët. Falënderimi i takon vetëm se Allahut, i Cili na dhuroi mendjen dhe na dalloi nga kafshët. Lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi Muhamedin, i biri i Abdullahut dhe rob i Allahut.

    O muslimanë, jemi dëshmitarë okularë se në mesin e muslimanëve sprovat dhe belatë janë shtuar, në mendime nuk janë të pajtuar dhe gjaku derdhet në mesin e tyre! Të gjithë pyesin, se ku është rrugëdalja? Cila është rruga e fikjes së zjarrit të sprovave dhe grindjeve mes vete dhe si të ec umeti drejt sigurisë dhe paqes?

    Allahu i Madhëruar thotë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kur’anin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë”. (Ali Imran: 103)

    Të kapurit për Kur’an dhe Sunet është detyrimi më madhështor në Islam dhe shtylla më e vlefshme. Nëpërmjet tyre realizohet mbrojtja dhe shpëtimi për umetin, ashtu si kapet për litarin kur e gjen ai që është duke u fundosur në det.

    Islami është i vetmi i cili i bashkon zemrat e ndara, dhe e fikën të keqen e zjarrtë dhe e largon urrejtjen e shpirtrave. Allahu i Madhëruar thotë: “duke i bashkuar zemrat e tyre (si një zemër e vetme). Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Urtë”. (El-Enfal: 63)

    Të kapurit për litarin e Allahut është mbrojtje nga devijimi dhe lajthitja. Bashkon Umetin nën flamurin “la ilahe il-lallah Muhamedun resulullah”, dhe e forcon lidhjen mes tyre dhe i largon qëllimet personale dhe i ul poshtë flamujt e rrejshëm dhe nëpërmjet saj ballafaqohet mashtrimi dhe trillimet e armikut.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell nga i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Allahu te ju i do tri gjëra dhe tri të tjera i urren. Ai do që ju ta adhuroni Atë dhe mos t’i përshkruani ortak në asgjë, të kapeni për litarin e Allahut të gjithë dhe mos të përçaheni dhe ta këshilloni atë që Allahu e bëri prijës tuajin. Allahu te ju urren bisedat e pavlera e që sjellin gjynahe, pyetjet e shumta (të pavlera dhe me qëllim kundërshtimi) dhe shpërdorimin e pasurisë”.

    Allahu i Madhëruar thotë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kur’anin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja”. (Ali Imran: 103)

    Lufta mes dy fiseve Eusit dhe Hazrexhit vazhdoi një qind e njëzet vite, kurse baza e prejardhjes së dy fiseve ishte e njëjta. Me ardhjen e Islamit u fik urrejtja në shpirtrat e tyre dhe i largoi ideologjitë e injorancës i bashkoi zemrat e tyre dhe i bëri vëllezër.

    Kur i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u ligjëroi ensarëve në çështjen e plaçkave të luftës së Hunejnit, ndër tjerash u tha: “O ju ensarë, a nuk ju gjeta të devijuar dhe Allahu ju udhëzoi nëpërmjet mua?! A nuk ju gjeta të varfër dhe Allahu ju pasuroi me mua?! Dhe çdo herë që thoshte diçka, ata pohonin: Allahu dhe i Dërguari i Tij na dhuroi! Për këtë arsye Allahu tha: “nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato”. (El-Enfal: 63)

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Farefisi mundet të shkëputet dhe begatitë të mohohen, por kur Allahu i ofron zemrat, nuk mundet ti lëkund askush, asnjëherë”, dhe pastaj e lexoi ajetin: “Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato”. (El-Enfal: 63)

    Një njeri i tha Ibën Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur me të: Si u gdhitë?! Iu përgjigj: U gdhimë me begatinë e Allahut, vëllezër!

    Pse mos të jenë vëllezër, kur Zoti i tyre është një, i Dërguari i tyre është një dhe Kibla e tyre është një?!

    Për ta vërtetuar këtë rregull madhështore, sheriati përgatiti sebepe që e forcojnë këtë lidhje dhe bashkim. Namazi me xhemat është sebep i bashkimi të muslimanëve pesë herë brenda dite, pastaj namazi i xhumasë një herë në javë, pastaj bashkimi vjetor gjatë namazit të Bajramit. Zeqati paraqet solidaritet shoqëror dhe mëshirë dhe mirësjellje. Agjërimi i Ramazanit e bashkon Umetin me veprat e tij gjatë ditës dhe natës. Gjatë Haxhit takohen muslimanët nga të gjithë vendet e botës, me raca të ndryshme, gjuhë të ndryshme dhe nacionalitete të ndryshme. E përshëndetin njëri-tjetrin me selam dhe jetojnë disa ditë së bashku të vëllazëruar.

    Por ajo që e bën zemrën me dhembje dhe ia shton brengat, është ajo që e shohim nga ndarjet e dhembshme dhe mospajtimet e rënda në trupin e Umetit.

    Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shejtani ka humbur shpresat se do të adhurohet në Siujdhesën Arabike, mirëpo ai shpreson në nxitjen e mosmarrëveshjeve mes jush”.

    Përçarjet dhe mospajtimet dhe divergjencat e urryera, të cilat vijnë nga pasimi i epshit dhe qëllimeve personale, injorancës dhe padrejtësisë, e pengojnë ecjen e Umetit, e paralizojnë përparimin e saj, e dobësojnë fuqinë e saj, e largojnë nga realizimi i shpresave dhe arritjes së qëllimeve të saj.

    Kur’ani i paralajmëroi muslimanët nga përçarje e tillë, e cila i përçan edhe rreshtat dhe bënë që umetet të dobësohen dhe përçahen. Allahu thotë: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia”. (El-Enfal: 46)

    Përcjell Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe thotë se e dëgjova një njeri i cili lexoi një ajet dhe e dëgjova të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se e lexoi të kundërtën e asaj që lexoi njeriu dhe shkova deri tek ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe e lajmërova. Në fytyrën e tij pash urrejtjen dhe më tha: “Të dytë e keni mirë, mos u përçani. Ata që ishin para jush kishin mospajtime dhe u shkatërruan”.

    Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, ti s’ke të bësh fare me ata që e përçajnë fenë e tyre dhe shndërrohen në sekte. Te Allahu është puna e tyre e pastaj Ai do t’u tregojë çfarë patën punuar”. (El-En’am: 159)

    Shkaku i përçarjeve dhe mospajtimeve u vodhën pasuritë e muslimanëve, u morën tokat e tyre, muslimanët ia kthyen shpinën njëri-tjetrit, e dashuruan dhe e urryen njëri-tjetrin jo për hir të Allahut, madje arriti çështja derisa edhe ngrenë dorë njëri ndaj tjetrit dhe arriti deri te vrasja, duke menduar secili se është në të drejtë e tjetri në të kotë.

    Islami për këtë arsye ndaloi vrasjen mes vëllezërve në fe dhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Vërtet gjaku juaj, nderi juaj dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin e juaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend”.

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: Pashë Atë që në Dorën e Tij është shpirti im, ajo është porosi për umetin e tij: “Mos u ktheni pas meje në femohues, e t’ia preni qafën njëri-tjetrit”.

    Gjaku e ka vlerën e lartë, madje një pikë gjaku është shumë i shtrenjtë. Allahu thotë: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh”. (En-Nisa: 93)

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Vazhdon të jetë njeriu në gjerësinë e fesë përderisa nuk prek në gjak të ndaluar”.

    Me këtë na qartësohet se kapja për litarin e fortë të Allahut është mburoja e fortë për ta bashkuar fjalën e muslimanëve, fuqinë e tyre dhe rreshtat e tyre.

    Allahu i Madhëruar thotë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!”. (Esh-Shura: 13)

    Shejh Abdulbarij eth Thubejti

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • TË DREJTAT E RRUGËS DHE ETIKA E SAJ

    TË DREJTAT E RRUGËS DHE ETIKA E SAJ

    Falënderimi i takon vetëm se Allahut, Atë e lavdërojmë dhe vetëm nga Ai falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e pejgamberëve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin, biri i Abdullahut dhe rob i Allahut.

    Ligjet e Islamit i përfshinë të gjitha anët e jetës dhe çështjet e saj dhe e sistematizojnë çdo gjë që i del përpara njeriut nga lindja e deri në vdekje. Feja e cila synon të ngrit një umet, i cili në vete përmban mesazh që ajo të mbetet udhëheqëse dhe e vlefshme për çdo vend dhe kohë, nuk lejon të ketë hapësirë, por atë vetëm se e plotëson dhe e rregullon me dispozita dhe rregulla.

    Prandaj s’është për të çuditur që udhëzimet islame dhe dispozitat ligjore të ndërhynë në rregullimin e shoqërisë, në çështjet e mëdha apo të vogla të saj, në individin apo shoqërinë e saj apo më mirë të themi në të gjitha çështjet e saj. Librat islame sot e kësaj dite vazhdojnë t’i cekin dispozitat sa i përket të kuptuarit e jetës, problemeve të njerëzve dhe politikës së shoqërisë edhe atë duke i shoqëruar ato me shembuj praktik të gjallë nga historia islame.

    Dukshmëria e përsosmërisë dhe madhështisë së urtësive dhe dispozitave të kësaj feje sa i përket etikës së rrugës, ndejës nëpër tregje apo etikës së xhematit, e kështu me radhë më së miri qartësohen nga Kur’ani e Suneti dhe gjurmët e dijetarëve.

    Allahu i Madhëruar thotë: Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!”. (El-Furkan: 63); “dhe, kur dëgjojnë ndonjë marrëzi, i shmangen asaj, duke thënë: “Ne kemi veprat tona, ndërsa ju keni veprat tuaja! Paqja qoftë me ju! Ne nuk duam shoqëri me të paditurit”. (El-Kasas: 55); “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi. Mos ec nëpër tokë me mendjemadhësi, se ti, në të vërtetë, nuk mund ta çash tokën e as të arrish lartësinë e maleve”. (El-Isra: 36-37)

    Kurse në Sunetin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, përcillet të ketë thënë: “Kini mendjen! Ruhuni nga të ulurit në rrugë!”. Njerëzit i thanë: “Nuk kemi zgjidhje tjetër pasi ato janë vendet ku mblidhemi dhe bisedojmë.” Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u tha: “Në qoftë se duhet patjetër të uleni atje, atëherë përmbajuni të drejtave të rrugës.” E pyetën përsëri: “Cilat janë të drejtat e rrugës?” Ai u tha: “Ulja e shikimit (që të mos vështrosh çfarë është e ndaluar për t’u parë), përmbajtja për të mos i lënduar njerëzit, kthimi i përshëndetjes, urdhërimi i së mirës dhe ndalimi i së keqes.”

    Me një hadith tjetër të cilin e shënojnë dijetarët e hadithit ceket se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nga dyert e mirësisë e ka numëruar: “Buzëqeshja jote në fytyrën e vëllait tënd është lëmoshë, urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja është lëmoshë, udhëzimi që ia jep njeriut që ka humbur rrugën është lëmoshë, heqja e pengesës, e gjembave dhe e eshtrave nga rruga është lëmoshë dhe hedhja e ujit nga kova jote në kovën e vëllait tënd është lëmoshë”.

    Burimet e sigurta të sheriatit janë të stërmbushura me citate të këtij llojit ku në to vërtetohen këto të drejta dhe udhëzojnë kah etika e tyre.

    Pra, robërit e Allahut janë më të mirët në mesin e njerëzve, ecin thjesht nëpër tokë, pa mendjemadhësi dhe vetëpëlqim, ecje që aludon në personalitet të matur dhe shpirt të qetë, ecje që nuk e dëmton askënd nga robërit e Allahut, ecje e mëshirës për ta, ecje që nuk ia tërheqë vërejtjen askujt për të keq, kur është i shoqëruar nga të tjerët nuk u del atyre përpara që të tjerët të ecin pas tij dhe nuk i lenë të tjerët të ecin e ai të jetë i hipur në mjet transporti.

    Kurse sa i përket uljes së zërit, ajo është cilësi e njerëzve me moral të lartë e sidomos gjatë ecjes nëpër rrugë. Etika e të folurit në rrugë është titulli i besimit në vetveten dhe të folurit të drejtë dhe argumentit të fortë. Atë e shoqëron urtësia e butësia, largimi nga fjalët e fëlliqura dhe të pahijshme. Besimtari nuk e ngrit zërin e tij pa nevojë, tenton që gjithmonë ta flet të vërtetën dhe ta argumenton të drejtën, edhe atë me fjalë të buta dhe të urta.

    Ulja e shikimit është e drejtë që duhet t’ia jep kalimtari dhe ata që rrinë ulur rrugës. Me uljen e shikimit mbrohet nderi dhe të metat e tyre. Shikimi është adresa e gjynaheve dhe për këtë arsye nëse e vëren se nëpër tregje dhe rrugë ndonjëri shikimin e tij e drejton kah harami, atëherë dije se epshi do të fillojë të reagojë dhe të pasohet me fjalë dhe shenja vrasëse dhe shkatërruese për fenë dhe turpin e tij.

    Largimi i pengesave nga rruga është një ndër të drejtat më të dalluara të rrugës. Pengesë është fjalë e përgjithshme për çdo send çka i pengon muslimanët nga fjalët dhe veprat. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “E pash një njeri duke u dëfryer në Xhenet për shkak se kishte prerë një dru që i pengonte njerëzve në rrugë”.

    Kur kërkoi Ebu Berzeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga i Dërguari i Allahut që t’i mëson diçka që mundet të përfiton nga ajo, i tha: “Mos i pengo muslimanët në rrugë”.

    Në një transmetim tjetër: Duke ecur rrugës një njeri e gjen një degë të ferrës në rrugë dhe e largon. Allahu e falënderoi atë dhe ia fali mëkatet”.

    Nëse ky është shpërblimi i atyre që i largojnë pengesat nga rruga atëherë si është dënimi i atyre që me qëllim i dëmtojnë dhe i pengojnë njerëzit nëpër rrugë dhe në ndejat e tyre dhe hedhin mbeturina nëpër parqe dhe vende të pushimit dhe të hijes.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush i pengon dhe dëmton muslimanët nëpër rrugët e tyre, mbi të detyrohet mallkimi i tyre”.

    Në një hadith tjetër i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: Ruajuni nga dy gjëra të mallkuara (që nëse njeriu i bën ato është i mallkuar)”. Të pranishmit i thanë: Cilat janë ato dy gjëra, o i Dërguar i Allahut? Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Ai i cili kryen nevojën në ndonjë rrugë të njerëzve apo në ndonjë hije të tyre (hije nën të cilën pushojnë njerëzit)”.

    Kurse sa i përket përhapjes së selamit, dhënia dhe kthimi i tij trashëgon dashuri në zemra, mbjell afrim në shpirtra, lan urrejtjet, largon zilinë, fitohet nëpërmjet tij kënaqësia e Allahut dhe falja e Tij. Në një hadith përcillet se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë. Betohem në Zotin se nuk do të hyni në Xhenet pa besuar; nuk do të besoni plotësisht pa e dashur njëri-tjetrin. Doni t’ju tregoj diçka që nëse e bëni do ta doni njëri-tjetrin? – Shpërndajeni selamin (përshëndetjen) në mesin tuaj!”

    Udhëzimi i atij njeriut që e ka humbur udhën duhet të jetë me fjalë të buta e të mira, e jo fjalë të ashpra e vulgare, me buzëqeshje në fytyrë e cila padyshim se është edhe lëmoshë.

    Ndihmesa e atij që i bart sendet duke ia bartur apo duke ia ngritur ato është lëmoshë. Ajo duhet të jetë në mënyrë sa më të mirë dhe duke mos e dëmtuar askënd përreth.

    Ka nga njerëzit që rrugët i marrin si vend për shitblerje apo ka nga ata që edhe ulen në karrige që tërë ditën t’i përcjellin të metat e njerëzve dhe t’i cenojnë të tjerët në nder e t’i përgojojnë dhe fjalë të bartin pa pasur aspak turp e moral. Nuk duhet t’u lejohet këtij lloji të njerëzve që rrugët t’i marrin vende ku bëhen harame apo shikohet në të haram.

    Nga këto lloje të ndejave dhe mexhliseve ikin dhe largohen njerëzit e devotshëm dhe të moralshëm kurse i afrohen të ligtit dhe të pamoralshmit.

    O ju besimtar, përmendja e tepërt e Allahut i shton mirësitë dhe e ndihmon robin në adhurime dhe e përforcon atë dhe e mbron shpirtin nga shejtani.

    Ka ardhur me një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush thotë kur të del nga shtëpia e tij: “Bismilah tevekeltu ala Allah ue la haule ue la kuvete ila bil-lah – Me emrin e Allahut, në Allahun u mbështeta, nuk ka ndryshim e as forcë pa ndihmën e Allahut”, i thuhet atij: Kjo të mjafton dhe ti u mbrojte dhe largohet shejtani nga ai”.

    Muslimani nuk duhet të neglizhon duanë e daljes nga shtëpia: “Allahume ini eudhu bike en edil-le ev udal, ev ezil-le ev uzel-le, ev adhlime ev udhleme, ev exh-hele ev jush-hele alej’je – O Allahu im, kërkoj mbrojtje tek Ti, që të mos devijojë e as të tjerët të më devijojnë, që të mos i poshtërojë të tjerët e as të mos poshtërojnë mua, të mos bëj padrejtësi e as të mos më bëjnë mua padrejtësi, të mos i shpërfillë të tjerët e as të më shpërfillin mua”.

    Gruaja nëse ka nevojë të del nga shtëpia e saj duhet të del e mbuluar, e turpëruar dhe mos të bën lëvizje që bien në sy të burrave gjatë ecjes së saj, mos të del e parfumuar dhe e lyer dhe pasi që ta kryen nevojën e saj të kthehet sa më shpejt në shtëpinë e saj: “Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre”. (En-Nur: 31)

    O muslimanë, frikojuni Allahut dhe kapuni për etikën e fesë së juaj dhe respektoni dhe ruani të drejta e vëllezërve të juaj.

    Allahu i Madhëruar thotë: “O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve! Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët! Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit”. (Lukman: 17-19)

    Shejh Dr. Salih Humejd

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • SHKAQET E RIZKUT

    SHKAQET E RIZKUT

    Po të kishte qenë risku i njeriut në duart e njerëzve, sa padrejtësi dhe sa urrejtje dhe sa çorodi do u bënte! Pasha Allahun, nëse atyre ju lihej kjo çështje në dorë do t’i bënin padrejtësi njëri-tjetrit dhe do ta urrenin njëri-tjetrin, madje do ta harronin dhe do ta neglizhonin njëri-tjetrin!

    Allahut i takon falënderimi dhe lavdërimi! Ai nuk i bën padrejtësi askujt, dhe nuk e dëmton, dhe nuk e harron, dhe nuk e neglizhon, po e begaton, dhe e mëshiron, dhe atij mirë i bën: “po edhe në vetet tuaja – a nuk e shihni vallë? Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar Betohem për Zotin e qiellit dhe të Tokës, se kjo (që ju premtohet) është e vërtetë, ashtu siç është të folurit tuaj”. (Edh-Dharijat: 21-23)

    Brenga për riskun i ka ngrënë disa zemra dhe i ka lodhur disa mendje. Disa njerëz kur dëgjojnë për ndryshimet ekonomike, dhe për ndryshimet e çmimeve, dhe për problemet jetësore, bien në depresion dhe stresohen, thuaj ti se ata nuk e dinë se Allahu garantoi furnizimin për të gjitha krijesat e Tij, besimtarë dhe jobesimtarë, të fortin dhe të dobëtin, të moshuarin apo të voglin: “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij. Ai di vendbanimin e saj dhe vendin e vdekjes. Të gjitha këto janë (të shënuara) në Librin e qartë”. (Hud: 6) dhe ”Sa krijesa ka që nuk e mbajnë dot veten me ushqim! Allahu u jep atyre dhe juve! Ai dëgjon dhe di gjithçka”. (El-Ankebut: 60)

    S’ka njeri që del nga kjo dynja pa e plotësuar riskun e tij. Allahu ia shënoi të birit të Ademit riskun dhe ia përcaktoi atë para se të del në dynja. Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: ”Më ka treguar i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kurse ai është ai i cili e fliste të vërtetën dhe të cilit i besohet: “Vërtet çdonjëri nga ju formohet në përbrendësen e nënës së tij dyzet ditë si pikë, pastaj bëhet e varur ngjashëm me këtë periudhë, pastaj, bëhet copë mishi ngjashëm me këtë periudhë, pastaj i dërgohet meleku dhe e frymëzon në të shpirtin, dhe këtij meleku i urdhërohen dy gjëra: ta shkruaj nafakën (riskun) (e fëmijës), exhelin (sa do të jetojë), veprat dhe (në pikëpamje të jetës tjetër) a është i fatshëm apo i pafatshëm.”

    Në vazhdim do t’i paraqesim disa nga shkaqet që e sjellin riskun të bazuara në Kur’an dhe Sunet.

    E para nga ato dhe më rëndësishmja është devotshmëria (takvaja). Ai që ia ka frikën Allahut dhe kapet për ligjet e Tij, i jep furnizim prej nga nuk i shkon mendja dhe prej nga nuk e pret dhe nuk e shpreson. Ky është premtim i prerë nga Allahu: ”Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret”. (Et-Talak: 2-3)

    Nga shkaqet e riskut është edhe istigfari (kërkim falja) dhe vazhdimësia në të. Allahu për Nuhin, alejhi selam thotë: ”e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh: 10-12)

    Dhe për Hudin, alejhi selam, thotë: “O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Mos u shmangni prej Atij duke qenë keqbërës!” (Hud: 52)

    Me një hadith përcillet: “Kush e shpeshton istigfarin Allahu do t’ia hap për çdo gjë nga një rrugë dhe për çdo vështirësi i ofron lehtësim dhe do ta furnizojë nga nuk e mendon”.

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë se kjo është argument se istigfari e sjell riskun dhe është shkak për zbritjen e shiut.

    Nga shkaqet e riskut është edhe mbështetja e drejtë në Allahun. Pra të lidhet zemra me Zotin e saj dhe t’ia mbështet çështjet Atij. Ai që i mbështetet Allahut, Ai i mjafton, dhe i largohet ajo që e preokupon dhe e mundon, dhe e furnizon prej ku nuk e pret. Përcillet me një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Sikur ju të mbështeteni ne Allahun me mbështetje të vërtetë, Allahu do t’ju furnizojë ashtu siç furnizon zogun, del në mëngjes i uritur dhe ngryset i ngopur”.

    Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky hadith është bazë për tevekulin (mbështetjen në Allahun) dhe është një nga shkaqet kryesore që e sjellin riskun”.

    Disa nga të parët tanë thoshin: Tevekuli ta sjell riskun pa lodhje dhe mundim!

    Ajo që duhet të dihet është se tevekuli (mbështetja në Allahun) nuk e kundërshton marrjen e shkaqeve dhe përpjekjen në kërkim të riskut. Allahu për sa i përket marrjes së shkaqeve të riskut tha: ”Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai”. (El-Mulk: 15) dhe tha: ”Ai e di se disa prej jush do të jenë të sëmurë, disa do të udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar mirësitë e Tij (për jetesë)”. (El-Muzemil: 20)

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, tha: Allahu në këtë ajet e barazoi atë që lufton në rrugë të Allahut me atë që del dhe e kërkon riskun në hallall, dhe atë e shpenzon për veten dhe familjen dhe për bamirësi. Dhe kjo është argument se të kërkuarit e riskut apo përfitimi është në gradë të luftës në rrugë të Allahut, sepse në ajet i ceki të dyja bashkë.

    Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: Mos ta lëre asnjëri nga ju kërkimin e riskut dhe të thotë: O Zot, më furnizo! Ju e dini se qielli nuk pikon ari dhe argjend!

    Nga shkaqet e riskut është edhe respektimi i lidhjes farefisnore.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: ”Kush dëshiron t’i shtohet risku (furnizimi) dhe t’i zgjatet jeta le të mbajë lidhjet farefisnore”.

    Respektimi i lidhjes farefisnore lë gjurmë të çuditshme dhe fryte të dëshmuara; duke filluar nga lehtësimi i rizkut dhe zgjatjes së jetës dhe mbjelljes së dashurisë.

    Prej urtësisë dhe meritës së Allahut është se e bëri shpenzimin nga shkaqet e shtimit të riskut. Ai që jep, Allahu ia zëvendëson dhe e bekon në atë që e posedon: ”Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë”. (Sebe’: 39) E zëvendëson me bereqet dhe me shtim të pasurisë në dynja, kurse në ahiret me shpërblime të mëdha: ”Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm”. (El-Bekare: 268)

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Dy janë nga Allahu dhe dy janë nga shejtani! Shejtani ju premton fukarallëk dhe thotë: mos shpenzo dhe mbaje për vete se ti ke nevojë për të dhe ju urdhëron në të ligë, kurse Allahu ju premton falje nga gjynahet dhe mëkatet dhe ju premton shtim në risk”.

    Në një hadith kudsij: ”O biri i Ademit, shpenzo (në bamirësi) e Unë do të shpenzoj për ty”.

    Dhe me një hadith të vërtetë: ”Nuk ka ditë që nuk zbresin dy melekë prej Allahut dhe thonë: O Allah, jepi atij që jep dhe atij që nuk jep shkatërroja pasurinë”.

    Prandaj shpenzoni dhe përgëzohuni me zëvendësim të gjerë nga mirësitë e Allahut. Madje Allahu tha: ”Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka, ndërsa i varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd mbi sa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin”. (Et-Talak: 7)

    Nga shkaqet e rizkut dhe të shtimit të tij është edhe bamirësia ndaj të varfërve dhe të mjerëve dhe nevojtarëve. Me një hadith përcillet: ”Vallë ndihma dhe rizku a nuk ju vjen nga shkaku i të ngratëve që keni në mesin tuaj”.

    Kjo i përfshin shtresat e nevojtarëve nga të varfrit, të mjerët, të sëmurëve, të huajve dhe atyre që nuk kanë familje.

    Nga shkaqet më madhështore të riskut dhe të shtimit të tij, madje ky shkak është gjithëpërfshirës i gjitha shkaqeve të mëhershme, është qëndrueshmëria në fenë e Allahut, dhe të vepruarit me vepra të mira dhe largimi nga ato të ligat. Risku nuk shtohet vetëm se me shtimin e adhurimeve dhe nuk pakësohet apo humbet vetëm se si shkak i gjynaheve dhe mëkateve. Robi privohet nga risku dhe furnizimi për shkak gjynaheve që i bën.

    Gjynahet, mëkatet dhe të ligat janë dyert më të mëdha që i mbyllin burimet e riskut, qoftë ajo për individin apo për shoqërinë! Gjynahet dhe mëkatet i vështirësojnë shkaqet e arritjes së riskut dhe e shkatërrojnë bereqetin: ”Sikur të qëndronin (banorët e Mekës) në rrugën e vërtetë, Ne do t’u jepnim ujë të bollshëm, për t’i vënë ata me këtë në sprovë. Por këdo që largohet nga këshillat e Zotit të tij, Ai do ta hedhë në një dënim të ashpër”. (El-Xhin: 16-17)

    Ai që do risku t’i shtohet dhe jetesa t’i përmirësohet dhe bereqeti ta kaplojë, le të kapet për fenë e Allahut, dhe le t’i respektojë ligjet e Tij, le t’i largohet ndalesave të Tij dhe ta mbrojë veten nga vendet që është i zemëruar Allahu me to!

    O ju muslimanë, frikojuni Allahut dhe meditoni këtë hadith të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ku thotë: ”Vërtetë Shpirti i Shenjtë (Xhibrili) e ka vulosur në zemrën dhe shpirtin tim se asnjë njeri nuk mund të vdes pa e plotësuar exhelin (afatin e jetës së tij), dhe pa e harxhuar apo shpenzuar rizkun e caktuar të Tij. Frikësojuni Allahut dhe kërkoni prej Tij, mos e lejoni veten për të mos kërkuar rizk prej Allahut e pastaj të kundërshtoni dhe të mos i përfillni urdhrat e Allahut. Vërtet prej Allahut përfitohet duke respektuar urdhrat e Tij”.

    Shejh Dr. Salih Humejd

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

     

  • RREZIKU I KAMATËS

    RREZIKU I KAMATËS

    O ju njerëz, frikohuni Allahut dhe kini kujdes prej depërtimit të kamatës në tregtitë e juaja dhe prej përzierjes së pasurisë së juaj me të. Ngrënia e kamatës dhe përdorimi i saj është prej mëkateve më të mëdha dhe Allahu ngrënësit dhe atij që punon me të iu kërcënua me zjarr të Xhehenemit dhe me luftë prej Allahut dhe të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Allahu, azze ue xhel, thotë: O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vete”. (El-Bekare: 278-279) Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshi mbi të, ka mallkuar atë që e ha kamatën, ai që ushqen kamatën (e jep atë), ai që e evidencon atë si dhe ata që janë në cilësinë e dëshmitarëve në kontratën ku ekziston kamata.” Dhe tha: “Të gjithë këta janë të barabartë”. Nuk është paraqitur kamata dhe imoraliteti në mesin e një popull përveç se është paraqitur tek ata varfëria, sëmundjet e ndryshme dhe zullumi prej sulltanit. Kamata i shkatërron pasuritë dhe ua heq bereqetin:Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë”. (El-Bekare: 276)

    Allahu e theksoi me ashpërsi kërcënimin ndaj ngrënësit të kamatës dhe e konsideroi ngrënien e saj si të shëmtuarën më të fëlliqur dhe mëkatin më të madh të cilit Allahu i shpalli luftë. Pastaj e qartësoi se ngrënësi i kamatës do të përjetojë dënim në dynja dhe në ahiret. Prej dënimeve të dynjasë është asgjësimi i bereqetit të pasurisë, humbja e saj, shkatërrimi i saj, etj., saqë pronari i asaj pasurie do të bëhet njeriu më i varfër në shoqëri. Shpeshherë dëgjoni për zhdukjen e pasurive të mëdha me djegien e saj, fundosjen e saj, ose me shkatërrimin e saj prej vërshimeve të mëdha saqë banorët e atyre vendeve bëhen më fukarenjtë në mesin e njerëzve. Në rast se mbetet pasuria e fituar me kamatë në duart e pronarëve të saj, ajo pasuri nuk do t’i bën aspak dobi për shkak se është pa bereqet dhe për të Ditën e Kiametit do të jep llogari dhe do ta pret dënim i dhembshëm. Njeriu që e ha kamatën dhe punon me të është krijesa më e urryer tek Allahu dhe te krijesat e Tij. Cilësi e këtij njeriu është se vetëm merr e nuk jep, mbledh e nuk shpërndan, nuk shpenzon e nuk jep sadaka, është koprrac e dorështrënguar, zemrat nuk e duan dhe shoqëritë e refuzojnë. Kjo është prej dënimeve që e kaplojnë në dynja, kurse dënimi në ahiret do të jetë edhe më i rëndë dhe më i gjatë.

    Allahu, azze ue xhel, e qartëson në Kur’an se çka e pret ngrënësin e kamatës ditën kur do të ngrihet prej varrit për të dhënë llogari dhe thotë: “Ata që marrin fajde, do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet”. (El-Bekare: 275) Edhe atë se njerëzit kur do të ringjallen do të dalin me shpejtësi prej varreve të tyre dhe do të nxitojnë për në Mahsher siç thotë edhe Allahu në Kur’an: “Ditën, në të cilën do të dalin nga varrezat duke vrapuar, sikur të ishin duke nxituar drejt një altari”. (El-Mearixh: 43) Prej tyre do të veçohet ngrënësi i kamatës i cili ngrihet dhe rrëzohet për toke, gjendja e tij i përngjanë atyre që bëjnë mundje njëri me tjetrin dhe të cilët ngrihen dhe rrëzohen gjatë dyluftimit, për shkak se ngrënia e kamatës barkun ia ka fryrë dhe ia ka bërë të rëndë dhe çdo herë që tenton të ngrihet e t’i bashkëngjitet të tjerëve rrëzohet për toke, kështu që vonohet dhe nuk mund t’i zë të tjerët. Kjo, si dënim dhe nënçmim për ngrënësin e kamatës në Ditën e Kiametit.

    Semure ibën Xhundub transmeton se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kam parë natën e (Miraxhit) dy melekë. Erdhën dhe më nxorën në tokën e shenjtë. Pastaj u nisëm dhe arritëm te një lum prej gjaku. Në këtë (lum) qëndronte një njeri. Ai qëndronte në mes të lumit, e në (breg të lumit) qëndronte një tjetër, përpara të cilit gjendeshin gurë. Sa herë që njeriu në mes të lumit rrihte të dilte, tjetri (nga bregu i lumit) e gjuante me gurë në gojë dhe e kthente në vendin ku qëndronte. Kështu vepronte sa herë që rrihte të dilte, e gjuante me gurë në gojë dhe njeriu kthehej përsëri aty ku qëndronte. Pyeta: Kush është ky? (Meleku) M’u përgjigj: Ai që gjendet në mes të lumit është njeriu që ka ngrënë kamatën”.

    Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kamata është shtatëdhjetë lloje mëkatesh, më e lehta është sikur njeriu të martohet me nënën e vet”.

    O muslimanë!

    Kamata është e ndaluar në të gjitha fetë qiellore. Allahu, azze ue xhel, thotë për çifutët: Ne ua ndaluam atyre disa ushqime të mira, të cilat ishin të lejuara për ta, për shkak të prapësive që bënë, për shkak se ata pengonin shumë njerëz nga udha e Allahut, për shkak se merrnin kamatë, megjithëse kjo ishte e ndaluar për ta dhe për shkak se përvetësonin padrejtësisht pasurinë e njerëzve”. (En-Nisa: 160-161)

    Edhe përskaj këtij kërcënimi të ashpër për ngrënësin e kamatës, shumica e njerëzve vazhdojnë të mbledhin pasuri në mënyrë të paligjshme dhe nuk u intereson mënyra se si kanë arritur deri tek ajo pasuri. E rëndësishme tek ata është vetëm mbledhja e pasurisë dhe shtimi i saj. Të ndaluar e konsiderojnë çdo gjë çka nuk mund të arrijë deri tek ata, ndërsa e lejuar sipas parimeve të tyre është çdo gjë që ata mund ta arrijnë madje në çfarëdo mënyre. Kjo aludon në mungesën e drojës ndaj Allahut në zemrat e tyre dhe në mosnjohjen e fesë së tyre. Në rast se gjendja e shoqërisë arrin në këtë nivel, atëherë prite dënimin. Nuk ka mirësi në atë jetë që bazohet mbi këtë sistem dhe nuk ka mirësi në atë pasuri që fitohet në mënyrë të paligjshme. Pasuria e grumbulluar në mënyrë të paligjshme i përngjan kënetës e cila është e formuar prej ujit të fëlliqur të pisët dhe çdo njëri që kalon andej apo gjendet në afërsi të saj dëmtohet prej erës së saj që e nuhat.

    Sot në mesin e njerëzve janë përhapur shumë biznese e tregti me kamatë të qartë. Muslimani duhet të jetë vigjilent ndaj këtyre transaksioneve dhe këmbimeve që të mos bie nën ndikimin e atyre që punojnë me të. Prej llojeve të kamatës që janë përhapur kohëve të fundit është: Kamata e shtyrjes apo vonesës. Ky lloj quhet edhe “Kamata e borxhit” dhe nënkupton shtimin e kushtëzuar, të cilin e merr huadhënësi nga huamarrësi për shkak të kohës që i ka lënë në dispozicion huamarrësit të paguajë borxhin. Dhe çdo herë që e vonon huamarrësi kthimin e borxhit i rritet borxhi. Ky lloj i kamatës ka qenë prezent dhe shumë i përhapur tek arabët para Islamit dhe kjo është “Riba el-Xhahilije” që do të thotë: “Kamata e injorancës” të cilën e cek Allahu në Kur’an: “O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë. Nëse e dini se borxhliu është ngushtë, shtyjani afatin (e shlyerjes së borxhit) derisa ta përmirësojë gjendjen. Por është më mirë për ju që t’ia falni borxhin, veç sikur ta dinit”. (El-Bekare: 278-280)

    Po ashtu prej llojeve të kamatës që janë përhapur kohëve të fundit është: Borxhi me fajde apo dobi. Kjo lloj kamate nënkupton dhënien e borxhit, mirëpo me kusht që t’ia kthen borxhin me një sasi të rritur si kompensim për pasurinë që ka huazuar, konform kushteve të caktuara.

    Po ashtu në rast se huadhënësi e kushtëzon huamarrësin me ndonjë lloj dobie për borxhin e dhënë, si: të banoj huadhënësi një kohë të caktuar në shtëpi të huamarrësit pa qira ose t’ia shfrytëzojë makinën e tij për një kohë të caktuar, t’i dhurojë dhurata apo çdo lloj dobie tjetër, kjo është kamatë. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Çdo borxh që tërheq me vete ndonjë dobi është kamatë”.[1]

    Dijetarët janë unikë rreth kuptimit që ka të bëj ky hadith.

    Po ashtu prej llojeve të kamatave është edhe deponimi i të hollave me fajde apo interes nëpër banka, ku banka i pranon ato të holla prej myshteriut dhe punon me to, ndërsa si shpërblim myshteriut çdo muaj i jep përqindje të cilën e quan dobi, por në fakt kjo është kamatë.

    Po ashtu prej llojeve të kamatës është edhe këmbimi i të hollave mes vete që duhet patjetër të bëhet dorë më dorë në vendin dhe çastin e aktit dhe nuk të duhet të ndahen të dy palët prej vendit të aktit para se t’i kapë çdonjëri të hollat e veta në dorë. E njëjta vlen edhe për blerjen e arit dhe argjendit me të holla prej letre ku duhet patjetër të bëhet dorë më dorë në vendin dhe çastin e aktit dhe nuk të duhet të ndahen të dy palët prej vendit të aktit para se ta kapë çdonjëri mallin e vet në dorë.

    Ka edhe shumë pamje dhe lloje të tjera të kamatës për të cilat nuk ka hapësirë të mjaftueshme të flasim këtu. Prandaj muslimani duhet të jetë i kujdesshëm dhe t’i largohet të gjitha llojeve të kamatës dhe mos të bie kurban i atyre që nuk u intereson fare kjo çështje dhe për çdo gjë që nuk e kupton le t’i drejtohet dijetarëve, për shkak se çështja është shumë e madhe dhe rreziku edhe më i madh.

    E lus Allahun të na bëjë dobi mua dhe juve me udhëzimin e Kur’anit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Prej çdo mëkati kërkoj falje tek Allahu për vete dhe për ju dhe për të gjithë muslimanët. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1] Hadithi është i dobët dhe më e sakta është ajo çka e cekin juristët islamë se kjo është një prej rregullave në jurisprudencën islame dhe dijetarët janë unikë në atë se hadithi është i dobët, por kuptimi i hadithit është i saktë.

  • QARTËSIMI I SHKAQEVE TË LUMTURISË

    QARTËSIMI I SHKAQEVE TË LUMTURISË

    Plot nga njerëzit, mendojnë se lumturia dhe shpëtimi, janë në gjërat kalimtare të kësaj dynjaje. Një grup nga ta, lumturinë e paramendojnë në arritjen e pasurisë, në arritjen e pushtetit dhe fuqisë dhe të kënaqurit me epshe dhe pasimin e tyre. Një grup tjetër, lumturinë e paramendon në garat mes vete, në shpikje dhe ndërtim dhe të ngriturit e tyre mbi të tjerët. Duke u bazuar mbi këtë teori, ata, e shpenzuan jetën e tyre, kohën e tyre dhe të gjitha fuqitë i harxhuan, me qëllim që t’i arrijnë ato gjëra, të cilat sipas teorisë së tyre, janë mjetet e lumturisë dhe shpëtimit në dynja!

    Kjo u bë preokupimi i tyre kryesor dhe brenga më e madhe, derisa në mendjen e tyre nuk la vend për mendime të tjera. Kjo u bë tema e ndejave të tyre dhe sfera e garave mes vete.

    Karuni, u shkatërrua dhe u ndëshkua për shkak të pasurisë me të cilën e furnizoi Allahu. Në dorë i kishte çelësat e thesareve të pasurive të dynjasë, mirëpo ajo nuk i bëri dobi.

    Faraoni, u shkatërrua dhe ndëshkua për shkak pushtetit dhe mbretërisë, dhe thoshte: “O populli im! Vallë, a nuk më përket mua sundimi i Egjiptit dhe i këtyre lumenjve që rrjedhin pranë meje?”. (Ez-Zuhruf: 51)

    Popujt e mëhershëm, si populli i Adit, Themudit, etj, u shkatërruan për shkak ndjekjes së kënaqësive dhe epsheve: “Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad, banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe, të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?! Dhe me fisin Themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)? Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)? Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre, duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin, prandaj Zoti yt lëshoi mbi ata kamxhikun e dënimit. Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!”. (El-Fexhr: 6-14)

    Në sferën e ndërtimtarisë dhe shpikjes, shumë popuj bashkëkohorë, filluan ta humbin rehatinë dhe sigurinë, për shkak kërcënimeve që ua bëjnë popujt e tjerë, apo ia bëjnë njëri-tjetrit, me qëllim të paraqitjes të fuqisë së tyre, njëri karshi tjetrit. Filluan të garojnë mes veti në armatim dhe fuqi, pra, në mjete shkatërrimi e jo në mjete që japin siguri dhe rehati. Njerëzit filluan të jetojnë në frikë, se do të ndodhë në çdo moment luftë dhe çorodi në tokë.

    O robërit e Allahut! Kjo vjen atëherë kur nuk ka iman. Nëse nuk merret si bazë besimi i drejtë, atëherë do të shkatërrohet dynjaja, lumenjtë, ndërtimet, etj., dhe vepra s’ka asnjë dobi. Allahu thotë: “Vepra e atyre, që nuk besojnë Zotin e tyre, i shëmbëllen hirit, të cilin e shpërndan era në një ditë të stuhishme. Ata nuk do të kenë asnjë dobi nga veprat që kanë punuar. Kjo është humbja e madhe”. (Ibrahim: 18); “Thuaj: “A doni t’ju lajmëroj për ata që, më së shumti, humbasin nga punët e veta, për ata, përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira?” Këta janë ata, që nuk kanë besuar në shpalljet e Zotit të tyre dhe në takimin me Të. Punët e tyre do të fshihen, andaj Ne nuk do të vëmë kurrfarë peshe për ta (për veprat e tyre), në Ditën e Kiametit”. (El-Kehf: 103-105)

    Atë që e përjetojnë jobesimtarët nga pasuria, pozita, fuqia, pushteti, shpikjet e ndërtimtaria, Allahu e quajti si kënaqësi e shkurtër, e përkohshme, e cila do të kalon shumë shpejt, dhe atë do ta vijon humbja dhe zjarri i Xhehenemit. Allahu tha: “Ti (o Muhamed) mos u mashtro nga bredhja e jobesimtarëve nëpër botë! Kjo mirëqenie është e shkurtër; pastaj, strehimi i tyre është Xhehenemi. Eh, sa shtrat i keq është ai vend!”. (Ali Imran: 196-197)

    Madje, Allahu gjykoi mbi jobesimtarët, duke i përfshirë këtu mbretërit, pushtetarët, dijetarët, mendimtarët e tyre, se ata të gjithë janë krijesat më të këqija dhe më të liga. Allahu tha: “Krijesat më të këqija tek Allahu janë ata që mohojnë dhe që nuk do të besojnë”. (El-Enfal: 55); “Në të vërtetë, ata që nuk besojnë prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarëve, do të hyjnë në zjarrin e Xhehenemit, në të cilin do të mbeten përgjithmonë. Ata janë krijesat më të këqija”. (El-Bejine: 6)

    Shumë njerëz mahniten me bukuritë e kësaj dynjaje, dhe lidhen tepër fortë për të dhe e harrojnë ahiretin. Allahu thotë: “Ata që nuk besojnë, janë të joshur nga jeta e kësaj bote, prandaj tallen me besimtarët. Por njerëzit që i frikësohen Allahut, do të jenë mbi ata – në Ditën e Kiametit. Allahu begaton pa kufi kë të dojë”. (El-Bekare: 212); “Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu”. (Ali Imran: 14)

    Jobesimtarët dhe disa nga muslimanët, të cilët besimin e kanë të dobët, sot, kur i shohin jobesimtarët se kanë përparuar në disa sfera të shkencës dhe kur ua shohin disa bukurisë të dynjasë se i kanë në duart e tyre, mahniten me ta dhe i madhështojnë shpirtrat e tyre. Kurse kur e shohin dobësinë e muslimanëve dhe ngecjen e tyre në shkencë, mendojnë se sebepi i kësaj ngecjeje qëndron në Islamin. Kjo, e bën që Islami dhe muslimanët të përbuzen në shpirtrat e tyre. Ata nuk e dinë se sebepi i ngecjes së muslimanëve nuk është Islami, por janë vetë muslimanët, të cilët u larguan nga feja e Allahut dhe u larguan nga kuptimi i drejtë i tij, i cili nxit në marrjen e shkaqeve dhe përfitimin e fuqisë. Islami është fe e fuqisë dhe e krenarisë, mirëpo kërkon njerëz që ta bartin atë.

    I garantuar është falimentimi i jobesimtarëve dhe humbja e tyre, në dynja dhe ahiret, ngase tek ata mungojnë elementet e lumturisë dhe shpëtimit, ku më të dalluarat janë, besimi në Allahun dhe në Ditën e Kiametit.

    Allahu për besimtarët garantoi se do të jenë të shpëtuar: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve), – të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht”. (El-Mu’minun: 1-11)

    Nga shkaqet e shpëtimit dhe lumturisë është edhe pendimi nga gjynahet dhe veprat e mira: “Porse, ai që pendohet, beson dhe bën vepra të mira, do të jetë i shpëtuar”. (El-Kasas: 56)

    Nga shkaqet e shpëtimit dhe të lumturisë është edhe të kapurit për përmendjen e Allahut: “dhe përmendni shumë Allahun që të fitoni”. (El-Enfal: 45)

    Nga shkaqet e shpëtimit dhe të lumturisë është edhe zbukurimi i shpirtit me cilësi të mira dhe largimi nga cilësitë e liga: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë”. (Esh-Shems: 9-10)

    Nga shkaqet e shpëtimit dhe të lumturisë është edhe shpenzimi i pasurinë në rrugë të Allahut dhe largimi nga koprracia: “I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!”. (El-A’la: 14-15), dhe tha: “dhe shpenzoni për bamirësi në të mirën tuaj. Ata që e ruajnë veten nga lakmia e saj, pikërisht ata janë të fituarit”. (Et-Tegabun: 16)

    O ju besimtarë! Do të vjen ajo ditë ku do të dallohet ai që fitoi dhe ai që humbi. Ajo ditë, është dita ku do të peshohen veprat: “Peshimi (i veprave), atë ditë do të jetë i drejtë. Ata që u rëndon peshorja me vepra të mira, do të jenë të shpëtuar; kurse ata që e kanë të lehtë peshoren me vepra të mira, do të humbin veten e tyre, për shkak se mohuan shpalljet Tona”. (El-A’raf: 8-9)

    E keni mundësinë të përgatiteni për këtë peshore! Shtoni nga veprat e mira dhe pastroni shpirtin. Mendoni se si të rëndohet peshorja e juaj me vepra të mira, dhe dijeni, se veprat shpërblehen sipas përfundimit! Ashtu si veproni, ashtu do të veprohet edhe me juve!

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

  • RËNDËSIA E NAMAZIT

    RËNDËSIA E NAMAZIT

    Frikojuni Allahut për fenë e juaj në përgjithësi dhe për namazin e juaj në veçanti. Faleni namazin dhe përkujdesuni për të. Faleni me frikërespekt dhe me qetësi shpirtërore. Faleni atë në xhemat dhe nëpër xhami dhe përkujdesuni për të sinqerisht për arsye se ai është shtyllë e fesë dhe adresa e lumturisë. Namazi është drita e juaj në tokë, thesari i juaj në qiell dhe ndihma e juaj gjatë vështirësive në jetë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz!”. (El-Bekare: 45) dhe “ Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe”. (El-Ankebut: 45) Namazi ishte gëzimi i syve të Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe streha e tij gjatë vështirësive dhe pushimi i tij gjatë lodhjeve. Namazi është shtylla e dytë prej shtyllave të Islamit dhe është lidhja direkte mes robit dhe Allahut dhe shenja dalluese mes kufrit dhe imanit.

    Namazi në Islam peshon rëndë dhe pozita e tij tek Allahu është e lartë. Për këtë arsye kushtoni rëndësi të madhe dhe kryeni me besnikëri dhe faleni të plotë. Ai që e falë i përkushtuar dhe të plotë do të shpërblehet, kurse ai që vjedh prej tij dhe e falë të mangët dyshohet se a do t’i pranohet. Falësi prej namazit të tij fiton hise aq sa ka qenë i përkushtuar në të kurse namazi që falet shpejt nuk pranohet.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se i Dërguari i Allahut hyri në xhami dhe pas tij hyri një burrë i cili, pasi u fal, shkoi dhe e përshëndeti Pejgamberin, alejhi salatu ue selam. Ai, alejhi salatu ue selam, ia ktheu përshëndetjen dhe i tha: “Kthehu dhe falu prapë sepse nuk je falur”. Personi u kthye dhe u fal përsëri ashtu siç u fal herën e parë, pastaj u kthye dhe e përshëndeti Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, i cili përsëri i tha: “Kthehu dhe falu prapë sepse nuk je falur”. Kjo gjë vazhdoi tri herë. (Pas gjithë kësaj) ai tha: “(Betohem) për Atë i Cili të ka dërguar ty me të vërtetën! Unë nuk mund të falem më mirë se kështu! (Të lutem) më mëso pra!” Nga kjo Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tha: “Kur të ngrihesh e të vendosësh për të falur namaz shqipto tekbirin (fjalët Allahu Ekber – Allahu është më i Madhi, për fillimin e namazit), pastaj këndo ç’është më e lehtë për ty (që di përmendësh nga Kur’ani, pastaj përkulu në ruku dhe rri sa të ndihesh i qetësuar (në këtë gjendje), pastaj ngrije kokën dhe qëndro drejt në këmbë, pastaj bjer me fytyrë për tokë në sexhde dhe rri sa të ndihesh i qetësuar (në këtë gjendje), pastaj ulu dhe rri i qetësuar (dhe mos u ngut për në sexhden e dytë). Kështu pra vepro gjatë gjithë faljes tënde (në çdo veprim rri sa të ndihesh i qetësuar në atë gjendje që je).

    Ky hadith është argument i qartë se namazi nuk lejohet që të falet shpejtë dhe se në të kërkohet që gjatë çdo lëvizje falësi të jetë i qetë dhe të mos ngutet. Qetësimi në namaz pra është prej shtyllave të namazit dhe pa të namazi nuk është i vërtet.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ndaloi që falësi ta vonojë namazin e tij deri në namazin tjetër pa arsye dhe në fund prej frike se do t’i ikë namazi të ngrihet dhe ta falë atë shumë shpejt dhe na paralajmëroi se ky lloj i namazit i përngjan atij të hipokritëve. Ai, alejhi salatu ue selem, thotë: “Ai (namazi i shpejtë) është namazi i hipokritëve, ulet ndonjëri prej tyre derisa të skuqet dielli (afër perëndimit), ku në këtë kohë është mes dy brirëve të shejtanit, pastaj ngrihet dhe i falë shpejtë katër rekate, në të cilat nuk e përmend Allahun vetëm se pak”.

    Edhe mosfalja e namazit në xhemat është një prej vetive të tyre. Prej vetive tjera të tyre janë edhe cilësitë që ua cek Allahu në Kur’an: “Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak”. (En-Nisa: 142) Ibën el Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë se këto gjashtë cilësi në namaz janë prej vetive të hipokritëve: ngritja me përtesë për në namaz, shtirja në faljen e tij vetëm sa për të dukur para njerëzve, vonesa e tij, nxitimi në faljen e tij, mos përmendja e Allahut në namaz shumë dhe mosfalja në xhemat.

    Ebu Abdullah el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, u fal me shokët e tij dhe pastaj u ul me një grup prej tyre. Ndërkohë, hyri një njeri dhe filloi të falet. Në namazin e tij filloi të bëj lëvizje të shpejta. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, tha: “A e shikoni këtë? Kush vdes kështu, vdes në fe jo të Muhamedit. Ky e fal namazin ashtu siç bën korbi”.

    Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, vjedhjen në namaz e bëri nga krimet më të mëdha të vjedhjes madje më të madhe se atë të pasurisë. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Vjedhësi më i keq është ai i cili vjedh në namaz”. Të pranishmit të çuditur e pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Si vjedh njeriu në namaz?”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, iu përgjigj: “Nuk e plotëson rukunë dhe sexhden”. Padyshim se vjedhësi në fe është më i keq se sa vjedhësi i dynjasë.

    Një prej gabimeve të mëdha në namaz është edhe paraprimi i imamit në ruku, sexhde, ulje dhe ngritje. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ka namaz ai që e paraprin imamin”. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “A nuk ka frikë ndokush prej jush, që e ngre kokën para imamit, se mos Allahu ia shndërron kokën në kokë gomari, apo t’ia shndërrojë fizionominë në fizionomi gomari?”.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, rrëfen se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Imami nuk është caktuar veçse për t’u pasuar, ndaj mos e kundërshtoni atë. Kur ai të thotë “Allahu Ekber”, edhe ju thoni “Allahu Ekber”, kur të bëjë rukunë, edhe ju bini në ruku. Kur të thotë “Semi Allahu limen hamideh”, ju thoni: “Allahume rabena lekel hamd”. Kur të bjerë në sexhde, edhe ju bini në sexhde. Nëse ai falet ulur, edhe ju faluni ulur të gjithë”.

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë se fjala e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, “Kur ai të thotë “Allahu Ekber”, edhe ju thoni “Allahu Ekber”, e ka për qëllim prite imamin derisa të thotë Allahu Ekber, kur ta përfundojë atëherë ju thoni Allahu Ekber.

    Shumë njerëz nuk i dinë këto hadithe dhe shpesh gabojnë në namazin e tyre. Të gjitha veprimet në namaz duhen të veprohen dhe të shqiptohen pasi t’i thotë apo veprojë imami dhe nuk lejohet as të vonohemi e as ta paraprijmë. Dihet se xhemati nuk përfiton asgjë nëse e paraprin imamin mirëpo shejtani i mashtron dhe i nxit që ta paraprijnë imamin dhe me këtë t’ua prish namazin e tyre.

    O muslimanë, frikojuni Allahut dhe kujdesuni për faljen e namazit. Namazi është porosia e fundit e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, që e porositi umetin e tij. Umu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcillet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, në sëmundjen e rëndë, për shkak të së cilës ndërroi jetë, thoshte: “Kujdesuni për namazin dhe robëreshat (të cilat i keni nën sundimin tuaj)!”. Këto fjalë i përsëriste derisa ia dorëzoi shpirtin Allahut të Madhëruar. Namazi është adhurim i cili u urdhërua në qiell, është gjëja e parë për të cilën do të llogaritet njeriu Ditën e Kiametit dhe është gjëja e fundit që do të humbet nga feja, sikur që ka treguar i Dërguari, salallahu alejhi ue selem: ”Do të shkëputen hallkat e Islamit një nga një, sa herë që do të shkëputet një hallkë, njerëzit do të kapen për tjetrën, hallka e parë që shkëputet është gjykimi, e fundit është namazi”.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve), të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marr dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht”. (El-Mu’minun: 1-11)

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    https://www.youtube.com/watch?v=xx94XXyQJEI

  • PËRQENDRIMI NË FE

    PËRQENDRIMI NË FE

    Allahu, azze ue xhel, na njoftoi se Kur’anin e zbriti për të përsiatur dhe për të vepruar me të: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kur’anin apo i kanë zemrat të kyçura?!”. (Muhamed: 24) Prandaj, duke iu bazuar këtij ajeti kur’anor në vazhdim me lejen e Allahut do të përsiasim një ajet prej ajeteve të Kur’anit me qëllim që të nxjerrim mësime të dobishme prej tij.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë”. (Fusilet: 30-32)

    Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, kur e komenton thënien e Allahut: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë”, thotë: “Allahu në ajet i ka për qëllim ata që i vepruan veprat me sinqeritet për Allah dhe adhurimet ia përkushtuan vetëm se Atij sipas ligjeve të cilat i caktoi vetë Ai”.

    Zuhriju, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur ishte në mimber e lexoi këtë ajet e pastaj tha: Përqendrohuni në rrugë të drejtë duke e adhuruar Allahun me sinqeritet dhe mos i bëni dredhitë e dhelprës”.

    Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Sufjan ibën Abdullah Thekafijut, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili kishte thënë: “O i Dërguar i Allahut, më thuaj në Islam një fjalë që të mos pyes për të askënd pas teje?” Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tha: ”Thuaj besova Allahun, pastaj ndiq rrugën e drejtë”.

    Robi nuk mund të jetë i përqendruar në rrugë të drejtë derisa veprat, thëniet dhe dëshirat e tij nuk janë në përputhshmëri me atë çka e ligjësoi Allahu dhe me atë çka erdhi Muhamedi, alejhi salatu ue selam. Allahu, azze ue xhel, thotë: Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar. Ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty”. (Hud: 112) Allahu në ajet thotë përqendrohu në rrugë të drejtë “ashtu siç je i urdhëruar”, dhe nuk thotë përqendrohu sipas dëshirave të tua. Pra, i udhëzuar realisht konsiderohet ai që ndjehet krenar në vete dhe ecën ballëlart në rrugën e drejtë: A është më i udhëzuar ai që ec i përmbysur me fytyrë në tokë, apo ai që ec në pozicion qëndrues rrugës së drejtë?”. (El-Mulk: 22)

    Thënia e Allahut: do t’u zbresin engjëjt” komentohet se njerëzve do tu zbresin melekët para vdekjes dhe atyre që ishin të përqendruar në fe do tu thonë: “mos u frikësoni” prej asaj çka do t’ju paraprijë prej çështjeve të ahiretit. Ahiretin e paraprijnë shumë tmerre dhe gjendje të vështira duke filluar këtu prej varrit dhe errësirës së tij, vetmisë së tij, shtrëngimit të tij, sprovës në të, pastaj fryrjes në Sur, vendqëndrimet e Ditës së Kiametit, kalimi nëpër Sirat, matja e veprave në Peshore, etj. Të gjitha këto tmerre e frika dhe gjendje të vështira Allahu do t’ua lehtësojë atyre që ishin të përqendruar në fenë e Tij.

    Thënia e Allahut: “dhe mos u pikëlloni” komentohet mos u pikëlloni për atë që e latë në dynja, prej familjes, fëmijëve, pasurisë, se Ne do të jemi kujdestar i tyre.

    Pastaj Allahu i përgëzon me shkuarjen e sherrit dhe ardhjen e mirësisë duke iu thënë: “Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar”. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, në Musnedin e tij e shënon një hadith nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Melekët prezantojnë në momentin e vdekjes dhe nëse njeriu ka qenë i mirë, thonë: ‘‘Dil o ti shpirt i mirë, ke qenë në trup të mirë. Dil falënderues dhe gëzoju aromës, bukurisë dhe Zotit Mirënjohës e jo Zemërues”.

    Ibën Ebi Hatim, Allahu e mëshiroftë, transmeton nga një prej selefit se filloi ta lexojë suren Fusilet prej fillimit derisa kur arriti tek ajeti “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt”, u ndal dhe tha: Na është përcjellë se Allahu kur do ta ringjall besimtarin prej varrit të tij do ta takojë me dy melekët që e shoqëronin në dynja dhe do t’i thonë mos u friko dhe mos u pikëllo. Allahu atë ditë do ta sigurojë prej frikës dhe do t’ia kënaqë syrin, ndërsa të gjithë të tjerët do të jenë të frikësuar.

    Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Kur vjen meleku i vdekjes që t’ia merr shpirtin besimtarit i thotë: Zoti yt të dërgon selam”.

    Muhamed ibën Kab thotë: “Meleku i vdekjes i thotë besimtarit: O ti mik i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi ty, Allahu ty të dërgon selam, e pastaj lexoi ajetin: Të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat, duke qenë të pastër. U thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!”. (En-Nahl: 32)

    Zejd ibën Eslem thotë: “E përgëzojnë melekët në momentin e vdekjes së tij, në varrin e tij dhe në momentin kur do të ringjallet”. Ibën Kethiri thotë se kjo thënie është shumë më e mirë, i bashkon të gjitha thëniet dhe kjo është realiteti.

    Thënia e Allahut: Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër” komentohet se melekët do t’u thonë besimtarëve në momentin e vdekjes: Ne ishin miqtë dhe shokët e juaj në dynja që ju përkrahnim dhe kujdeseshim për ju me urdhrin e Allahut dhe po ashtu do të jemi me ju në ahiret, do t’jua largojmë vetminë e varrit dhe ditës kur fryhet në Sur, do t’ju mbrojmë në ditën e Ringjalljes dhe Llogarisë, do t’jua lehtësojmë kalimin e urës së Siratit dhe do t’ju dërgojmë e shoqërojmë deri në Xhenetin e Allahut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ndërsa ata të cilëve u ka prirë mirësia Jonë qysh më parë, do të jenë larg nga Xhehenemi. Ata nuk do të dëgjojnë fërshëllimën e tij dhe do të qëndrojnë përherë në atë që u ka dëshiruar shpirti i tyre. Ata nuk do t’i brengosë tmerri më i madh dhe engjëjt do t’i presin (duke u thënë): “Kjo është dita juaj e premtuar”. (El-Enbija: 101-103)

    Thënia e Allahut:Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni” komentohet se besimtarët në Xhenet do të kenë çdo gjë që e dëshirojnë shpirtrat e tyre dhe u kënaqen sytë e tyre edhe atë sa herë që e kërkojnë do tu sjellët para duarve të tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “(Allahu do t’u thotë): “O robërit e Mi, për ju sot nuk ka frikë dhe as që do të pikëlloheni. Ju që keni besuar shpalljet Tona dhe keni qenë myslimanë, hyni në Xhenet të gëzuar, ju dhe bashkëshortet tuaja, ku do t’ju shërbehet me pjata dhe gota prej ari. Aty do të ketë çfarë t’ju dojë shpirti dhe gjithçka që ta kënaq syrin dhe atje do të qëndroni përgjithmonë”. (Ez-Zuhruf: 68-71)

    Dhe thënia e Allahut: “dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë”, komentohet se të gjitha begatitë që do t’i fitoni në Xhenet janë dhuratë dhe begati prej Zotit i cili i fali mëkatet e juaja, ishte i mëshirshëm dhe i butë ndaj jush, i fali gjynahet e juaja dhe i mbuloi ato.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu, azze ue xhel, thotë: ”Kam përgatitur për robërit e drejtë atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe as që e ka paramenduar zemra e njeriut”. Ebu Hurejra thotë: Për këtë çështje mundeni të lexoni edhe në Kur’an: Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë. (Es-Sexhde: 17)

    Prej ajeteve fisnike të cilat i përsiatëm mund t’i nxjerrim disa dobi:

    1. Besimi dhe përqendrimi në fe janë dy shkaqe për hyrjen në Xhenet.
    2. Melekët e përgëzojnë besimtarin në momentin e vdekjes, në varrin e tij, në Ditën e Kiametit dhe para dyerve të xhenetit. Allahu i Lartësuar thotë: “Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit) (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” (Er-Rad 23-24)
    3. Punëtori duhet të përgëzohet me shpërblimin që e meriton, për shkak se kjo ia shton më tepër aktivitetin. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Jepu lajm të mirë besimtarëve (se do fitojnë Xhenetin)”. (El-Bekare: 223)
    4. Besimtarët futen në Xhenet me meritën dhe mëshirën e Allahut, e jo si rezultat i veprave të tyre.

    Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, e shënon një hadith prej Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ue selem, të thotë: Askënd nuk e fusin në Xhenet punët e veta”. Shokët e pyetën: “As edhe ty, o i Dërguari i Allahut?!” Ai u përgjigj: “Jo, as mua, në qoftë se Allahu nuk më dhuron Mirësinë dhe Mëshirën e Tij”.

    1. Besimtarët kur do të hyjnë në Xhenet do të marrin prej begative të tij çka tu dëshirojnë shpirtrat dhe çka do t’i kënaq sytë e tyre, madje do tu jepet edhe një tepricë e ajo është shikimi i Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë”. (Kaf: 35) dhe “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër”. (Junus: 26)

    E lus Allahun të na bën dobi mua dhe ju me udhëzimin e Kur’anit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

    Dr. Emin ibën Abdullah Esh Shekaui

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline