Category: Probleme shpirtërore & shoqërore

  • DISPOZITAT E FËMIJËS SË PORSALINDUR

    DISPOZITAT E FËMIJËS SË PORSALINDUR

    1. Dhuntitë dhe mirësitë e Allahut për robërit e Vet janë aq shumë, saqë numri i tyre nuk mund të përkufizohet dhe të numërohet. Në to bën pjesë edhe dhuntia e fëmijës. Fëmijët janë dhuntia, dhurata dhe mirësia e madhe e Allahut për robin e Vet. Kjo e mirë e Allahut e meriton falënderimin, përkujdesjen dhe ruajtjen nga robi i Tij. Fëmijët janë fryti i zemrës, themeli i shtëpisë, stolia e jetës së dynjasë, ashtu siç Allahu thotë: “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote…” (El-Kehf: 46)

    Allahu në Kuran e përmend se nga lutjet e robërve të zgjedhur të Allahut është lutja: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (El-Furkan: 74)

    1. Islami fëmijës ia përcaktoi dhe ia garantoi të drejtat e tij para se të ekzistonin marrëveshjet, shoqatat dhe organizatat për të drejtat e njeriut.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Edhe ndaj fëmijës tënd ke hak (të drejta që bien mbi ty).”[1]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Secili prej jush jeni barinj dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e vet… Burri është bari i familjes së tij dhe përgjegjës për të, gruaja është bareshë e shtëpisë së saj dhe përgjegjëse për shtëpinë e burrit të saj dhe për fëmijët e saj.”[2]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu do ta pyesë çdo përgjegjës për kopenë që e ka pasur nën përgjegjësinë e tij, a e ka ruajtur apo e ka humbur, madje do të pyetet edhe njeriu për anëtarët e familjes së tij.”[3]

    1. Islami fëmijës ia siguron të drejtat para lindjes së tij: fillimisht me zgjedhjen e nënës së ndershme, pastaj përkujdesja për të gjatë periudhës së shtatzënisë, përkujdesja për të drejtën e tij që të jetojë duke e ndaluar abortimin e tij gjatë fazës së shtatzënisë, lehtësimi i çështjes së agjërimit për gruan shtatzënë, ndëshkimi i mbytësit të tij duke e detyruar ta shpaguajë gjakun e tij etj.

    Pas lindjes: lumturia dhe gëzimi me daljen e tij në dynja, thirrja e ezanit në veshin e djathtë, pëlqehet t’i fërkohet lehtë qiellza e tij me hurmë, i jepet e drejta ta marrë mbiemrin e babait, zgjedhja e emrit të mirë për të, therja e akikës, qethja e flokëve të kokës së tij dhe dhënia lëmoshë në peshë të flokëve të tij, synetimi i tij, plotësimi i gjidhënies, përkujdesja për edukimin dhe rritjen e tij, shpenzimi për të, drejtësia në mes të tij dhe vëllezërve të tij, përkujdesja për shëndetin e tij trupor dhe mendor.

    Po ashtu i garantohet e drejta e tij në trashëgimi, vasiet, dhuratë, vakëf etj.

    1. E drejta më e madhe e fëmijës që bie mbi të dy prindërit është edukimi dhe rritja e tij me virtyte të larta dhe me moral të lavdëruar sipas Kuranit dhe Sunetit të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Fëmija duhet të edukohet në fushën e imanit, ibadetit, moralit, psikikës, shëndetit, gjendjes shpirtërore dhe asaj shoqërore të tij. Kërkohet përkrahja e tij dhe të qenët e tij krah për në rrugën e qëndrueshmërisë në fe, që ta fitojë Xhenetin dhe të shpëtojë nga Xhehenemi, ashtu siç Allahu thotë: “O ju, që besoni! Ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Et-Tehrim: 6); që do të thotë: urdhëroje familjen për të mirë dhe ndaloje nga e keqja, edukoje dhe mësoja Islamin, kështu i ruan nga zjarri i Xhehenemit.[4]
    2. Kur myslimanit i lind fëmijë, pëlqehet që sa më shpejt të përgëzohet dhe të urohet me lutje për mirësi.

    Nuk transmetohet ndonjë urim i veçantë në sunetin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, andaj kush dëshiron që ta urojë vëllanë e tij për lindjen e fëmijës, lejohet që ta urojë me fjalë të zakonshme që njerëzit i përdorin dhe që nuk bien në kundërshtim me Islamin.

    Hasan El-Basrij, Allahu e mëshiroftë, preferonte që urimi të jetë me këto fjalë: “Allahu të bekoftë në atë që të ka dhuruar, e falënderofsh Dhuruesin, e lus Allahun që fëmija të rritet dhe të jetë i sjellshëm me prindërit”, ose të thotë: “E lus Allahun që fëmija të jetë i bereqetshëm për ty dhe për umetin e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të”, dhe lutje të ngjashme me këto.

    Kurse atij që e shpreh uratën ia kthen me fjalët: “Allahu të bekoftë ty dhe pasardhësit e tu”, ose: “Allahu të shpërbleftë me të mira dhe ta dhuroftë edhe ty një fëmijë sikur ky”, dhe lutje të ngjashme me këto. Çështja është e gjerë dhe ka hapësirë në të për veprim.

    1. Pëlqehet thirrja e ezanit në veshin e djathtë të të porsalindurit menjëherë pas lindjes, që dëgjimin e tij sapo të dalë në dynja ta prekë emri i Allahut, lavdërimi dhe madhërimi i Tij, si dhe largimi i shejtanit prej tij.

    Ebu Rafia, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell që e ka parë Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke e thirrur ezanin në veshin e Hasanit, të birin e Aliut, pasi e lindi Fatimja, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.[5]

    1. Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu e di më së miri, urtësia e thirrjes së ezanit në veshin e të porsalindurit është që fëmija fjalët e para që do t’i dëgjojë të jenë fjalët e ezanit. Këto fjalë në vete e përmbajnë madhërimin dhe lavdërimin e Allahut, shehadetin (dëshminë e njësimit të Allahut) që shqiptimi i tij është i patjetërsueshëm për t’u bërë mysliman. Me një aspekt kjo është sikur t’i shqiptohen atij ritet e Islamit me ardhjen e tij në dynja, ashtu si i shqiptohet shehadeti (fjala la ilahe il-lallah) kur del nga kjo dynja. Gjurmët e fjalëve të ezanit nuk kanë pengesa që të arrijnë me shumë lehtësi prej te veshi deri në zemrën e fëmijës dhe të lënë gjurmë në të, edhe pse fëmija nuk është në dijeni për këtë. Po ashtu, me thirrjen e ezanit ikën shejtani nga fëmija. Shejtani qëndron në pritë të tij deri të lindë që pastaj ta shoqërojë për të keq, e kur shejtani i tij e dëgjon ezanin, e dobëson dhe e zemëron atë që nga momentet e para të shoqërimit të tij.

    Thirrja e ezanit e ka edhe një kuptim tjetër që vijon; thirrja e ezanit në fakt është thirrja e fëmijës drejt Allahut, fesë islame dhe ibadetit të Allahut. Kjo thirrje duhet që t’ia kalojë dhe të jetë para thirrjes së shejtanit, njësoj sikur që natyra fillestare në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit ia kaloi ndryshimit dhe çrrënjosjes së saj nga shejtani. Po ashtu ka edhe urtësi të tjera.”[6]

    1. Thirrja e ikametit në veshin e majtë të të porsalindurit nuk është nga suneti, nuk ka hadith të vërtetë që e vërteton këtë.
    2. Pëlqehet që fëmijës së porsalindur, mashkull apo femër, t’i fërkohet qiellza me hurmë. Nëse nuk gjendet hurmë, mundet me çdo gjë të ëmbël.

    Merret hurma shtypet ose mbllaçitet me buzë deri të zbutet dhe të përtypet më lehtë. Fëmijës i hapet goja dhe me hurmën e mbllaçitur i fërkohet lehtë qiellza që ta shijojë ëmbëlsinë e hurmës. Kjo është e shëndetshme për trupin e fëmijës dhe i forcon muskujt e gojës së tij.

    Ebu Musa, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Më lindi një djalë dhe e çova te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e emërtoi me emrin Ibrahim, ia fërkoi qiellzën me hurmë dhe e luti Allahun që atë ta bekojë.”[7]

    Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell që njerëzit vinin te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me fëmijët e tyre të porsalindur, ai i lutej Allahut për ta t’i bekojë dhe ua fërkonte qiellzën me hurmë.”[8]

    1. Pëlqehet për fëmijën e porsalindur të theret akika (kurban) në ditën e shtatë të lindjes së tij. Për foshnjën djalë pëlqehet të theren dy dele, ndërsa për foshnjën vajzë të theret një dele.

    Nëse për djalë theret vetëm një dele, realizohet esenca e sunetit dhe mjafton.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për nipat e vet, Hasanin dhe Husejnin, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, i theri nga dy desh.[9]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Për fëmijën djalë theren dy dele të barabarta dhe për fëmijën vajzë një dele.”[10]

    1. Akika quhet kafsha që theret për foshnjën e porsalindur pas lindjes së saj dhe është sunet i vërtetuar (sunet i fortë).

    Fëmija është dhunti dhe mirësi e Allahut për prindin, prandaj kafsha theret në shenjë falënderimi për Allahun. Po ashtu kafsha theret si vepër që e afron fëmijën tek Allahu në momentet e para të daljes së tij në dynja, theret në shenjë flijimi për fëmijën, theret me shpresë që Allahu fëmijës t’i japë shëndet dhe ta ruajë nga çdo dëm, si dhe në shenjë bamirësie për të varfrit dhe nevojtarët.

    1. Nuk ka pengesë që i varfri të marrë borxh për akika, Allahu do ta pasurojë me mirësinë e Tij dhe do t’ia mundësojë ta kthejë borxhin.

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Nëse nuk ka pasuri që ta therë akikën, le të marrë borxh. Shpresoj që Allahu do t’ia mundësojë ta kthejë borxhin, sepse ai e ka ringjallur një sunet.”[11]

    1. Për akika kushtëzohet ajo që kushtëzohet për kurbanin: kafsha të jetë deve, lopë, dele apo dhi, me të gjitha llojet e saj, patjetër duhet ta arrijë moshën e përcaktuar sheriatikisht, të jetë pa të meta që e ndalojnë vlefshmërinë e kafshës për t’u bërë kurban.

    Mosha e përcaktuar sheriatikisht:

    Për devetë është ajo që i ka mbushur pesë vjet dhe ka hyrë për të gjashtën.

    Për lopët është ajo që i ka mbushur dy vjet dhe ka hyrë për të tretën.

    Për dhitë është ajo që i ka mbushur një vit dhe ka hyrë për të dytin.

    Për delet është ajo që i ka gjashtë muaj dhe ka hyrë për të shtatin.

    Nuk lejohet për kurban kafsha qorre, që është qorre e qartë, e verbër, sepse ajo është më keq se qorrja, e cila duket qartë që syrin e ka qorr, çalamania me çalim të qartë, e sëmura me sëmundje të qartë dhe e dobëta, e cila nuk ka fare dhjamë në të, ajo e cila njërën dorë apo këmbë e ka të prerë, sepse e meta e saj është më e rëndë sesa ajo që çalon dhe çalimi i saj është i qartë, dhe të ngjashme me to.

    1. Kafsha më e mirë për akika është delja, jo deveja ose lopa, sepse Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për akika theri dele.

    Madje disa dijetarë thonë që akika është vetëm me dele dhe jo me kafshë të tjera, por shumica e dijetarëve e lejojnë që përveç deles për akika të theret edhe deveja dhe lopa.

    1. Kafsha më e mirë për akika është ajo kafshë që është më e mira për kurban: më e shëndosha, që ka më shumë mish, më e plota, më e bukura në pamje dhe më e dashura për pronarin e saj. Mashkulli nga kafshët është më i mirë për therje, nëse është më i shëndoshë dhe me mish të mirë.
    2. Therja e kafshës për akika është më e mirë se dhënia e lëmoshës në vlerën e kafshës, edhe po qe se sasia e lëmoshës është më e madhe se vlera e kafshës, sepse qëllimi nga akika është therja e kafshës dhe derdhja e gjakut për Allahun. Allahu thotë: “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (El-Enam: 162)
    3. Nga suneti është therja e akikës në ditën e shtatë të lindjes. Nëse e ther para ose pas ditës së shtatë, nuk është problem.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdo fëmijë është peng i akikës së vet.[12] Në ditën e shtatë i theret akika, i qethen flokët dhe emërtohet.”[13]

    1. Dita e lindjes së tij përfshihet në shtatë ditët, përveç nëse lind natën, në këtë rast dita që vjen pas asaj nate llogaritet dita e parë.

    Rregulli thotë që akika të theret në ditën e shtatë, që i bie të jetë dita para ditës së lindjes. Shembull: Nëse ka lindur në ditën e shtunë, akika theret në ditën e xhuma. Por, nëse ka lindur natën e shtunë (d.m.th. ditën e premte në mbrëmje), atëherë dita e premte nuk llogaritet dhe akika theret ditën e shtunë dhe jo ditën e premte.

    1. Akika nuk bie, nëse vonohet therja dhe nuk theret në ditën e shtatë. Nëse nuk e ther në ditën e shtatë, që ta arrijë qëllimin që synohet nga akika, mund ta therë kur të dojë pas saj. Pëlqehet që therja e akikës të mos vonohet deri në atë moshë, saqë fëmija e arrin moshën e pubertetit.
    2. Nuk pranohet therja e akikës para lindjes së fëmijës, sepse shkaku i akikës ende nuk ekziston. Prandaj, nuk i llogaritet akika, nëse e ther para se t’i lindë fëmija, mishi mbetet mish deleje i thjeshtë dhe jo akika.
    3. Nëse foshnja e porsalindur ndërron jetë para se t’i theret akika ose ndërron jetë në barkun e nënës pasi që t’i fryhet shpirti (d.m.th. pas muajit të katërt), ka nga dijetarët që thonë se për këtë fëmijë ligjërohet therja e akikës.

    Nëse thuhet për akikën që është një lloj njoftimi që fëmija është në rregull, ndërsa tani ai më ka ndërruar jetë, kjo atëherë nënkupton që nuk duhet të theret për këtë fëmijë më akikë. Ky mendim i dijetarëve është më i përafërt me të vërtetën. Allahu e di më së miri.

    1. Assesi nuk lejohet pjesëmarrja në një akikë, patjetër duhet kokë për kokë, që do të thotë një akikë për një fëmijë. Ky është mendimi i medhhebit hanbelij.

    Atij që i kanë lindur dy fëmijë dhe do që ta therë një lopë ose deve, akika e tij, deve ose lopë, është e vlefshme vetëm për njërin nga fëmijët dhe jo për të dytë. Këtu dallon akika nga therja e kurbanit për haxh dhe e kurbanit të përgjithshëm.

    Urtësia e saj, siç e cek Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, është: “Pasi kafsha që theret për akika është flijim për të porsalindurin, ajo që ligjërohet në këtë rast është derdhja e gjakut të plotë, që të jetë flijim i një shpirti (një kafshës) për një shpirt (për një të porsalindur).

    Po ashtu, po të lejohej pjesëmarrja në akika, nuk do të arrihej qëllimi nga akika, pra derdhja e gjakut për fëmijën. Derdhja e gjakut pranohet vetëm për njërin fëmijë, kështu që për të tjerët nuk mbetet tjetër përveç nxjerrjes së mishit për ta. Qëllimi pra, është derdhja e gjakut të kafshës për fëmijën.”[14]

    1. Kujt i lindin binjakë, nuk i mjafton një akikë, po duhet për çdonjërin të therë veç e veç. Të gjithë dijetarët janë unikë për këtë mesele.[15]
    2. Nuk lejohet therja e kafshës me nijetin e kurbanit dhe me nijetin e akikës. Prandaj kurbani nuk është i vlefshëm në vend të akikës, sepse çdonjëri prej tyre, edhe kurbani edhe akika, synohen veç e veç dhe dallojnë në mes vete në shkakun e therjes, andaj nuk mund të jetë i vlefshëm njëri në vend të tjetrit. Ky është mendimi i medhhebit malikij dhe shafij.
    3. Me mishin e akikës pëlqehet që të veprohet sikur që pëlqehet të veprohet me mishin e kurbanit; të hahet prej tij, t’u jepet lëmoshë të varfërve dhe nevojtarëve, t’u dhurohet fqinjëve, akrabave dhe shokëve.
    4. Më e mirë është që mishi i akikës të shpërndahet i zier (ose i pjekur) sesa i pazier (ose i papjekur). Kështu iu lehtësohet të tjerëve ngrënia e saj dhe shtohet bamirësia dhe falënderimi i dhuntisë.
    5. Mishi i akikës lejohet t’u shpërndahet të varfërve, fqinjëve, akrabave dhe shokëve, ose mund që t’i ftojë ata në shtëpi. Çështja është e gjerë për veprim, si do mund të veprohet.
    6. Atij që i shkojnë mysafirë në numër të madh dhe për akikën e djalit i ther më shumë se dy dele ose për akikën e vajzës më shumë se një dele, lejohet. Kjo është fetvaja e dijetarit Abdulaziz ibën Baz, Allahu e mëshiroftë.
    7. Lejohet që eshtrat e kafshës për akika të thyhen gjatë gatimit, nuk ka argument të saktë që e ndalon këtë. Kanë ardhur disa gjurmë nga të parët tanë që eshtrat e akikës nuk thyhen në shenjë optimizmi që të ruhen gjymtyrët e fëmijës. Kjo bie ndesh me adetin e njerëzve të cilët i thyejnë eshtrat gjatë gatimit dhe kjo është në dobi të tyre. Ata në këtë mënyrë plotësisht përfitojnë nga therja dhe ngrënia e kafshës. Nuk ka diçka që e ndalon thyerjen e tyre.
    8. Nëse prindërit nuk kanë therur akika për fëmijën kur ka qenë i vogël, i lejohet fëmijës kur të rritet që të therë akika për veten. Akika është sunet i vërtetuar (i fortë) dhe pasi që prindërit e tij nuk e kanë realizuar këtë sunet, nëse do, i lejohet atij ta therë akikën për veten. Janë hadithet e përgjithshme që e lejojnë një gjë të tillë dhe kjo është edhe fetvaja e dijetarit Abdulaziz ibën Baz, Allahu e mëshiroftë.[16]
    9. Pëlqehet që fëmija të emërtohet pas lindjes ose në ditën e shtatë. Më e mirë është që të mos vonohet emërtimi i fëmijës deri pas ditës së shtatë.

    Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Mbrëmë më lindi një djalë dhe e emërtova Ibrahim, sipas emrit të babait tim, Ibrahimit, alejhi selam.”[17]

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdo fëmijë është peng i akikës së vet.[18] Në ditën e shtatë i theret akika, i qethen flokët dhe emërtohet.”[19]

    1. Emri është adresa e të emërtuarit, prandaj pëlqehet që fëmijës t’i jepet emër me fjalë dhe kuptim të mirë. Emërtimi me emër të mirë është edhe haku i fëmijës që bie mbi prindërit e tij.
    2. Pëlqehet emërtimi i fëmijës me këta emra:

    – Emrat më të dashur tek Allahu janë: Abdullah dhe Abdurrahman.

    – Emërtimi me disa nga emrat e bukur të Allahut duke ia shtuar përpara fjalën Abd (rob) si për shembull, Abdulaziz dhe Abdulmelik.

    – Emërtimi me emrat e pejgamberëve dhe lajmëtarëve si: Muhamed dhe Ibrahim.

    – Emërtimi me emrat e njerëzve të mirë dhe të devotshëm siç janë emrat e sahabëve dhe tabi’inëve.

    Nuk i ka hije një shtëpie islame që fëmijët e tyre të mos e kenë ndonjë emër nga emrat e lartpërmendur që preferohen.

    1. Ndalohet emërtimi i fëmijëve, meshkuj apo femra, me emra që ndalohen fetarisht, si:

    – Mbreti i mbretërve (Melikul Muluk), sunduesi i sunduesve (Sultan Es-Selatin) dhe me emra të ngjashëm me ta.

    – Emrat që janë të posaçëm për Allahun, si: Er-Rahman, El-Kudus, Es-Samed.

    – Emrat që aludojnë në adhurimin e dikujt tjetër jashtë Allahut si: Abdulkabe (rob i Qabes), Abduresul (rob i Pejgamberit).

    – Emrat që janë të posaçëm për çifutët dhe të krishterët si: Xhirxhis, Butrus, Juhana, Shem’un, Kuhin.

    1. Duhet që t’i largohemi emërtimit të fëmijëve me këta emra:

    – Emrat e tiranëve dhe të padrejtëve, si: Faraon, Karun.

    – Emrat e shejtanëve, si: Hinzib.

    – Emrat e këqij dhe të padëshiruar, si: Harb (Luftë), Mur’re (I ithët), Dhalim (Zullumqar), Asije (Mëkatare).[20]

    1. Lejohet që fëmija i vogël të marrë një epitet të caktuar, si: Ebu Filan (baba i filanit) ose Filane (baba i filanit ose filanes), ose Umu Filan ose Filane (nëna e filanit ose filanes). Kjo bëhet në shenjë nderimi dhe njoftimi për pozitën e tij, përveç asaj që te fëmija ngjall optimizëm që në të ardhmen, me lejen e Allahut, do të bëhet burrë dhe do të ketë pasardhës.
    2. Pëlqehet qethja e kokës së të porsalindurit djalë, jo vajzë, në ditën e shtatë, pasi të theret akika. Dhënia lëmoshë në peshë të flokëve të tij në vlerë të argjendit nuk është problem.

    Në qethjen e flokëve të të porsalindurit ka dobi shëndetësore dhe largohen gjëra të dëmshme.

    Përcillet që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur e theri akikën për Hasanin tha: “Oj ti Fatime, e bija ime, qethja flokët djalit dhe jep lëmoshë në peshë të flokëve të tij në vlerë të argjendit.”[21]; por hadithi nuk është i vërtetë.

    1. Synetimi i fëmijës është nga sunetet e natyrshmërisë dhe nga ritet e Islamit. Synetimi i djemve është obligim.

    Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nga natyrshmëria janë pesë gjëra: Synetimi, rruajtja e pjesëve të turpshme, heqja e qimeve nën sqetulla, shkurtimi i thonjve dhe shkurtimi i mustaqeve.”[22]

    1. Lejohet që vajzave t’u shpohet veshi dhe të vendosin vathë, sepse është në dobi të saj. Ajo ka nevojë për zbukurim.[23]
    2. Sheriati e lehtësoi çështjen e urinës së foshnjës mashkull i cili ende ushqehet vetëm me qumështin e nënës. Urina e tij është fëlliqësi e lehtë, mjafton spërkatja, d.m.th. të hidhet ujë mbi vendin e urinës dhe nuk detyrohet larja (ose fërkimi dhe shtrydhja) e vendit. Alij ibën Ebi Talib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për urinën e foshnjës mashkull që ende ushqehet vetëm me qumështin e nënës së vet ka thënë: “Urina e foshnjës mashkull që ende ushqehet me qumësht, spërkatet, ndërsa urina e foshnjës femër, duhet të lahet.” Katade, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kjo vlen, nëse ushqehen vetëm me qumështin e nënës dhe nuk ha ushqim tjetër a, nëse ushqehen edhe me ushqim tjetër përveç qumështit të nënës, atëherë lahet edhe urina e foshnjës mashkull.”[24]

    41.Vjellja e foshnjës që ushqehet me gji:

    Nëse është me ngjyrë, sikur ta nxjerrë qumështin dhe në të ka ngjyrë të verdhë, pasi që është ndryshuar materia dhe era e tij, e vjella llogaritet e papastër.

    Nëse e vjella del nga goja e foshnjës dhe nuk i janë ndryshuar cilësitë e saj, si në rast kur foshnja sapo ka filluar të ushqehet me gji dhe nga ngopja e tepërt qumështi del nga goja (pa i ndryshuar cilësitë e veta), e vjella këtu është e pastër.[25]

    1. Pështyma dhe ligat e foshnjës janë të pastra dhe janë pastrues për gojën, nëse i bëhet pis nga vjellja. “Allahu e di që fëmija vjell shpesh dhe larja e gojës së tij është problematike, ndërsa pështyma dhe ligat i rrjedhin vazhdimisht në rrobat dhe trupin e atij që kujdeset dhe e bart foshnjën, prandaj nuk urdhëroi që rroba të lahet dhe nuk ndaloi nga falja e namazit me ato rroba dhe nuk urdhëroi që të ruhemi nga pështyma e foshnjës.”[26]
    2. Pëlqehet që për të porsalindurin dhe për të gjithë fëmijët në përgjithësi të kërkohet mbrojtje tek Allahu dhe t’u lexohet rukje, ashtu siç kërkonte mbrojtje Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për nipat e tij Hasanin dhe Husejnin, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, duke e bërë këtë lutje: “Kërkoj mbrojtje për ty (me një transmetim tjetër: Kërkoj mbrojtje për ju të dy) me fjalët e Tij të përsosura, prej së keqes së çdo shejtani dhe çdo kafshe helmuese dhe prej së keqes së syrit të keq.”[27]

     

    E lusim Allahun të na japë sukses për atë që Ai e do dhe Atë e kënaq dhe të na japë bereqet në pasardhësit tanë.

    “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (El-Furkan: 74)

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

    [1] Muslimi (1159).

    [2] Buhariu (2409), Muslimi (1829).

    [3] Nesaiu në El-Kubra (9174), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të vërtetë.

    [4] Tefsir El-Bagavij (8/169).

    [5] Ebu Davudi (5105), Tirmidhiu (1514), në zinxhirin e tij ka dobësi, Tirmidhiu dhe Hakimi e saktësuan, lejohet të punohet me hadithin sipas dijetarëve.

    [6] Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud (fq. 37).

    [7] Buhariu (5467), Muslimi (2145).

    [8] Buhariu (5467), Muslimi (286).

    [9] Nesaiu (4219), shejh Albani e saktësoi.

    [10] Ebu Davudi (2834), Tirmidhiu (1516), Nesaiu (4215), Ibën Maxhe (3162), shejh Albani e saktësoi.

    [11] El-Mugni, Ibën Kudame (9/460), Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud, Ibën El-Kajim (fq. 79).

    [12] “Është peng i akikës së vet” nënkupton që akika është flijim, çlirim nga prangat e shejtanit dhe nga pengesat e tij që fëmija të punojë për dobitë e ahiretit të tij. Ose kuptimi tjetër: I porsalinduri është peng për të mirën që i synohet atij, derisa të theret akika për të, dhe kjo nuk do të thotë që ai do të ndëshkohet në ahiret. (sh.p.)

    [13] Ebu Davudi (2834), Tirmidhiu (1522), Nesaiu (4220), Ibën Maxhe (3165), shejh Albani e saktësoi.

    [14] Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud, Ibën El-Kajim  (fq. 118).

    [15] El-Istidhkar, Ibën Abdulber (5/317), Et-Temhid (4/313).

    [16] Mexhmua Fetava Ibën Baz, (26/266).

    [17] Muslimi (2315).

    [18] Kuptimi i hadithit është qartësuar te fusnota numër 12. (sh.p.)

    [19] Ebu Davudi (2837), Tirmidhiu (1522), Nesaiu (4220), Ibën Maxhe (3165), shejh Albani e saktësoi.

    [20] Ka dallim mes këtij emri dhe emrit Asija   آسيةedhe pse në gjuhën shqipe shqiptohen njëjtë, por kuptimi mes tyre dallon, si dhe dallon dispozita, sepse emri i parë ndalohet, kurse i dyti lejohet. (sh.p.)

    [21] Tirmidhiu (1519) dhe e vlerësoi hadithin të dobët, kurse shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

    [22] Buhariu (5889), Muslimi (258).

    [23] Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud, Ibën El-Kajim  (fq. 308).

    [24] Ebu Davudi (377), Tirmidhiu (610), Ibën Maxhe (525), shejh Albani e saktësoi.

    [25] Ka nga dijetarët që të vjellën e konsiderojnë të pastër në përgjithësi, ndër ta: imam Sheukani, shejh Albani, shejh Uthejmini, e të tjerë. https://islamqa.info/ar/answers/221751/ (sh.p.)

    [26] Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud, Ibën El-Kajim  (fq. 321).

    [27] Buhariu (3371), Ebu Davudi (4737).

     

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan Jahiu

    Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”

  • RESPEKTI I NËNËS ME SËMUNDJE MENTALE

    RESPEKTI I NËNËS ME SËMUNDJE MENTALE

    Ky është një tregim i vërtet dhe shumë prekës të cilin na e rrëfen një mjeke muslimane e cila thotë:
    Një ditë në ordinancën time hyri një grua e cila ishte në të gjashtëdhjetat e shoqëruar nga i biri i saj i cili ishte në të tridhjetat. Ajo që ma tërhoqi vërejtjen ishte kujdesi i tij i tepërt ndaj saj, e kapte për dore ia rregullonte mbulesën dhe ia afronte ushqimin dhe pijen. Pas pyetjes sime për problemin e saj dhe kërkimit tim për ta kontrolluar e pyeta rreth gjendjes së saj mentale, për arsye se e vërejtja se sjellja e saj nuk ishte normale dhe gjithashtu nuk i përgjigjej pyetjeve të mia.

    Djali i saj mu përgjigj dhe më tha: Nëna ime ka probleme mentale nga lindja e saj.

    Fjalët e tij më prekën tepër dhe e pyeta: Po kush kujdeset për të?

    Më tha: Unë.

    I thash: Pasha Allahun, begati e madhe. Po kush kujdeset për pastërtinë e rrobave të saj dhe trupit të saj.

    Më tha: Unë e përcjelli deri në banjo, unë ia sjelli rrobat dhe e pres deri sa t’i kryejë nevojat e saj.

    Unë i futi rrobat e saj të palara në makinën e larjes, unë i shtri ato të thahen dhe unë ia blej rrobat që i nevojiten!

    I thash po pse nuk ia sjell një shërbëtore?

    Mu përgjigj: Nëna ima është e mjerë, i shëmbëllen një fëmije, asnjëherë nuk ankohet dhe frikohem se shërbëtorja do ta dëmtojë.

    U mahnita nga fjalët e tij dhe nga respekti i tij ndaj saj dhe i thash: Po ti, a je i martuar?

    Mu përgjigj: Unë jam i martuar dhe kam fëmijë, elhamdulilah.

    Atëherë gruaja jote kujdeset për nënën tënde, i thash.

    Më tha: Kujdesi i saj nuk është i mangët. Ajo e përgatit ushqimin dhe ia servon nënës sime.

    Gruas sime ia kam sjellë një shërbëtore e cila i ndihmon mirëpo prapëseprapë unë kujdesem që të ha me nënën time për arsye se ajo e ka sëmundjen e sheqerit dhe dëshiroj të jem i sigurt se nuk do të hajë ushqim që ia dëmton shëndetin.

    Kjo ma shtoi edhe më tepër mahnitjen dhe më erdhi të qaj dhe me shumë vështirësi e mbajta veten që mos të dalin lotët nga unë. Më shkuan sytë kah thonjtë e saj dhe e vërejta se i kishte të shkurtër dhe të pastër dhe i thash: Po thonjtë e saj?

    Mu përgjigj: Mjeke, unë ia shkurtoj ato. Ajo është e mjerë. Në atë moment shikoi nëna kah biri i saj dhe i tha: Kur do të më blesh mua patate të fërguara? Tani do të shkoj dhe do t’i blej në shitore, i tha. Nëna kur i dëgjoi fjalët e të birit fluturoi nga gëzimi dhe tha: Tani… Tani!. I biri iu kthye dhe tha: Pasha Allahun, unë gëzohem për gëzimin e saj më shumë se sa për gëzimin e fëmijëve të mi të vegjël.

    U bëra sikurse shkruaj në dokumentacionin e saj që të mos vërehet se shumë u ndikova nga këto fjalë. A nuk ka fëmijë tjetër, e pyeta?

    Tha. Unë jam fëmija i vetëm i saj për arsye se prindi im e ndau vetëm pas një muaji martese.

    Mirë, ty kush të rriti… prindi, e pyeta?

    Jo, u përgjigj. Gjyshja ime është kujdesur për mua dhe për nënën time derisa Allahu ia mori jetën dhe unë atëherë isha vetëm se dhjetë vjeçar.

    E pyeta se a është kujdesur nëna jote kur ke qenë i sëmurë apo a të rikujtohet se ajo është kujdesur për ty ndonjëherë? Apo është gëzuar me gëzimin tënd dhe është pikëlluar me pikëllimin tënd?

    Mu përgjigj: Mjeke, nëna ime është e mjerë nga mosha ime dhjetë vjeçare. Unë kujdesem për të dhe i ndihmoj në të gjitha nevojat e saj.

    Nuk munda më shumë të duroj, ia përshkrova recetat dhe ia qartësova barnat.

    I biri e kapi nënën e vet për dore dhe i tha: Eja nëna ime tani të shkojmë në shitore. A nuk shkojmë në Meke, i tha nëna?

    U çudita! Ajo a do të shkojë në Meke, e pyeta? Do të fluturojmë me aeroplan, mu përgjigj nëna e tij.

    A do ta dërgosh në Umre, e pyeta?

    Mu përgjigj: Po si jo.

    A nuk e ke vështirësi ta kryesh Umren dhe ta lodhsh veten, e pyeta?

    Kryerja e Umres me të dhe gëzimi i saj se do të udhëtojmë së bashku ka shpërblim më të madh tek Allahu se sa me bë Umren vet.

    U larguan nga ordinanca, e mbylla derën dhe i thash motrës medicinale se dëshiroj të pushoj dhe nuk dua të më pengojë askush. Fillova të qaj nga gjithë zemra ime dhe të them në vetvete: Ajo nuk ka qenë asnjëherë nëna e tij… ajo vetëm se e barti dhe e lindi por nuk e edukoi, as nuk e prishi gjumin natën asnjëherë për të, as nuk e mësoi, as nuk ndjeu dhembje për dhembjet e tij, as nuk qau për të qarët e tij, e as nuk mbeti pa gjumë nga frika për të, dhe as… dhe as! Megjithatë… i gjithë ai respekt!

    A do të veprojmë ne me nënat e tona të shëndosha ashtu si veproi ky njeri me nënën e vet të sëmurë? Nëna ime e dashur, e lus Allahun që të mos ma ndalojë dhe të më largojë nga respekti yt.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • FILLIMI I VITIT SHKOLLOR – KËSHILLA DHE DOBI

    FILLIMI I VITIT SHKOLLOR – KËSHILLA DHE DOBI

    1. Njeriu përgjatë jetës së tij kalon nëpër stacione të ndryshme, ku disa nga to ndërtojnë e disa nga to shkatërrojnë, disa nga to janë shkak për lumturi e disa nga to janë rrugë për mërzi, disa nga to për nga kohëzgjatja janë të shkurtra sikurse të jenë disa orë e disa nga to të gjata sikurse të jenë vite.

    Pavarësisht gjithë kësaj, e vërteta është se të gjitha llojet e stacioneve do të kalojnë dhe ajo që mbetet janë punët e njeriut që i punoi në to.

    1. Kur pushimi përfundon dhe viti i ri shkollor është në prag të fillojë, nxënësi mysliman qëndron disa çaste me veten dhe e llogarit atë: A përfitova gjë nga pushimi? A e kalova pushimin në gjëra që e kënaqin Allahun? A m’u shtua imani dhe adhurimi apo ato u pakësuan?!

    Myslimani e di që do të vijë dita para Allahut të japë llogari. Kush do që llogaria t’i lehtësohet të nesërmen para Allahut, le ta marrë në llogari veten sot, ashtu siç Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Llogariteni veten në dynja para se të llogariteni në ahiret. Përgatiteni veten për prezantimin e madh të veprave. Ai që në dynja e llogarit veten, do t’i lehtësohet llogaria e tij në Ditën e Kiametit.”[1]

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nuk do të lëvizë këmba e asnjë biri të Ademit në Ditën e Kiametit para Zotit tij, derisa të mos pyetet për pesë gjëra: për jetën e tij se si e kaloi, për rininë e tij se si e shfrytëzoi, për pasurinë e tij se prej ku e fitoi dhe ku e harxhoi dhe se çfarë veproi me atë që e mësoi.”[2]

     

    Këshilla drejtuar prindërve të nxënësve

    1. Djemtë tuaj dhe vajzat tuaja janë amanet mbi supet tuaja. Do të merreni në llogari dhe do të jepni përgjegjësi për ta në Ditën e Kiametit. Allahu thotë: “O ju që besoni, ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ata.” (Et-Tehrim: 6)

    I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Secili prej jush jeni barinj dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e vet.”[3]

    Me një hadith tjetër ka thënë: “Allahu do ta pyesë çdo përgjegjës për kopenë që e ka pasur nën përgjegjësinë e tij, a e ka ruajtur apo e ka humbur, madje do të pyetet edhe njeriu për anëtarët e familjes së tij.”[4]

    Këto argumente duhet të na nxisin që t’ia kemi frikën Allahut në fëmijët tanë. Ajo realizohet duke i udhëzuar dhe ndihmuar fëmijët për kah hairi, duke i larguar nga sherri, krimi dhe të këqijat, si dhe duke ua shkëputur çdo rrugë e cila i çon deri në bërjen e mëkatit ndaj Allahut.

    1. Shkolla nuk mundet e vetme t’i edukojë fëmijët tuaj. Pjesën tjetër të edukatës që fëmijët nuk e marrin në shkollë, përgjegjësia bie mbi prindin që t’i edukojë me të. Procesi edukativ e arrin përkryerjen dhe plotësohet atëherë kur fëmija edukohet në shtëpi dhe shkollë.

    Është gabim i madh të anashkalohet edukimi i fëmijës në shtëpi duke menduar se atij i mjafton edukimi në shkollë!

    1. Sjellja e fëmijës në shkollë është fryt i edukatës së prindërve në shtëpi. Kur prindërit janë të ndershëm dhe mundohen sipas fuqisë së tyre që me ndershmëri t’i edukojnë fëmijët dhe i mbështeten Allahut plotësisht në këtë proces, prej tyre dalin fëmijë të mirë, respektues të prindërve dhe të mësuesve në shkollë. Prindin e gëzon dhe e nderon që ai është fryti i tij.
    2. Prindi e ka për detyrë që fëmijës t’ia mbjellë në shpirt dashurinë dhe respektin për mësuesin. Si mund që mësuesi të ketë sukses në edukimin e nxënësit kur nxënësi nuk e vlerëson dhe nuk e respekton mësuesin e tij?! Nuk ka hair në atë popull që nuk i respekton dijetarët dhe mësuesit e vet.
    3. Fëmijëve qartësojuani se lidhja në mes mësuesit dhe nxënësit është lidhje respekti dhe dashurie si lidhja e prindit me fëmijën, e jo lidhje ashpërsie dhe armiqësie.
    4. Prindërit e nxënësve duhet që të përkujdesen të prezentojnë në mbledhjet që shkolla i organizon enkas për prindërit për ta ndjekur ecurinë e fëmijëve të tyre, për ta mësuar nivelin e tyre arsimor, për t’i njohur anët negative të tyre që ato t’i përmirësojnë dhe për t’i njohur anët pozitive, që ato t’i shfrytëzojnë në formën më të shëndoshë.
    5. Mësojuani fëmijëve pastërtinë, respektimin e rregullave, sjelljen e mirë në shtëpi dhe shkollë. Islami nxit për në pastërti dhe respektimin e rregullave.
    6. Prindi është përgjegjës për fëmijën e tij që ta mësojë ta zgjedhë shokun e mirë, i cili do ta ndihmojë atë në çështjet e fesë dhe dynjasë dhe ta mësojë t’i largohet shokut të keq. Po ashtu, është përgjegjës që t’i verifikojë shokët e djemve dhe shoqet e vajzave të tij. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, andaj çdonjëri le të shikojë se kë e shoqëron.”[5]

    Pra, shoku të tërheq kah vetja!

    1. Sa vajza të ndershme e të pastra devijuan, shkaku se familjet e tyre i anashkaluan ato në përzgjedhjen si dhe në verifikimin e shoqeve të tyre! Sa të rinj shkuan me shokë të këqij derisa ranë në krime dhe drogë! Parambroja është më e mirë sesa ilaçi.
    2. Stërvitja e fëmijës për ta zgjedhur shokun e mirë bëhet drejtpërdrejt duke i folur për moralin e mirë, duke e bërë shpjegimin e sjelljeve të ndryshme pozitive dhe ato negative, duke e paraqitur gëzimin me sjelljet e mira, dhe e kundërta, duke e paraqitur hidhërimin me sjelljet e këqija.
    3. Atë që Allahu e sprovoi me fëmijë me të meta fizike duhet të bëjë durim dhe të jetë i kënaqur me caktimin e Allahut. Për myslimanin të gjitha përcaktimet e Allahut janë të mira: “Është për t’u çuditur me çështjen e besimtarit. Në tërësi çështja e tij është hair dhe kjo është e veçantë për të. Kur i jepet një e mirë e falënderon Allahun dhe kjo është e mirë për të. Dhe kur e godet një fatkeqësi bën durim dhe kjo është e mirë për të.”[6]
    4. O ti baba i mëshirshëm dhe oj ti nënë e dashur, mos harroni se fëmija është juaji. E meta e tij fizike nuk ia pakëson atij vlerën dhe njerëzimin. Sa fëmija me të meta fizike është bërë i dobishëm për botën me dijen dhe zbulimet e tij, prandaj mos e nënvlerësoni çështjen e fëmijës suaj.
    5. Është e rëndësishme që fëmija me të meta fizike të dërgohet në shkolla të posaçme për ta. Atje mësohet me planprograme mësimore të posaçme që i përshtaten nevojës dhe së metës fizike të fëmijës.

    Këshilla drejtuar nxënësit

    1. Suksesi yt është sukses për popullin në tërësi. Rizgjimi dhe ngritja e krenarisë së myslimanëve bëhet kur ata i mbështeten Allahut e më pas iu mbështeten të rinjve të tyre. Prandaj, përpjekje dhe vetëm përpjekje.
    2. Nijeti i drejtë i jep mbarësi punës sate. Ripërtërije nijetin dhe përkujdesu çdoherë që me dijen tënde të jesh në dobi të myslimanëve. Populli ka nevojë për mjekë, arkitektë, mësues, gjykatës, zdrukthëtarë etj.
    3. Angazhohu me mësime nga dita e parë. Punën e sotit mos e vono për nesër. Ji ambicioz dhe me aspirata të larta. Përkujdesu për kohën tënde, ruaje nga ata që rrinë kot dhe humbin kohë. Koha është sikurse shpata, nëse ti nuk pret me të, ajo të pret ty.
    4. Mos mungo në shkollë ose fakultet dhe qëndro i vendosur në këtë çështje. Njohuritë që merren nga mësuesi mbeten dhe ruhen në mendje më shumë se njohuritë që merren në mënyra të tjera.
    5. Forcoje lidhjen tënde me Allahun. Filloje ditën me namazin e sabahut, përkujdesu për dhikrin e sabahut dhe akshamit, për dhikrin e gjumit dhe për dhikrin e përditshëm. Caktoja vetes një pjesë të Kuranit për ta lexuar brenda ditës dhe në vazhdimësi kërko ndihmë nga Allahu.
    6. Shpeshtoje istigfarin (kërkimfaljen), ai është shkak për lehtësimin e çështjeve dhe hapjen e dyerve të riskut si dhe falja ia hap robit dyert e mirësisë: “…e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh: 10-12)
    7. Kur gjatë mësimit, ose memorizimit, ose kuptimit ballafaqohesh me vështirësi thuaj:

    “Allahume la sehle il-la ma xhealtehu sehlen, ue ente texhalu el-hazen idha shi’te sehlen”[7]

    (O Allahu im, nuk ka gjë të lehtë përveç asaj që Ti e lehtëson dhe e bën të lehtë. E rënda dhe e vështira nuk lehtësohet, përveç kur Ti dëshiron që ajo të bëhet e lehtë).

    1. Çdoherë shpeshtoje lutjen e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili lutej duke thënë:

    “Allahumme inni eudhu bike minel hemmi, uel hazeni, uel axhzi, uel keseli”[8]

    (O Allahu im, kërkoj mbrojtjen Tënde nga brengat dhe dëshpërimi, nga paaftësia dhe dembelia.)

    Brengat vijnë për çështjet që kanë ndodhur dhe kanë kaluar.

    Dëshpërimi vjen për gjërat që nuk kanë ndodhur, por supozohet dhe pritet të ndodhin.

    Dembelia është të lësh dhe të braktisësh diçka duke e pasur mundësinë për ta vepruar.

    Paaftësia është të mos posedosh mundësi dhe fuqi të veprosh diçka.

    Paaftësia arsyetohet, kurse për dembelinë njeriu nuk arsyetohet.

    1. Parapërgatite veten për përsëritje duke e zgjedhur kohën dhe vendin e përshtatshëm. Mos përsërit duke qenë i lodhur, i plogësht ose i dëshpëruar. Lexo në atë vend ku ka dritë të mjaftueshme dhe larg zhurmës.
    2. Me gjithë respekt përkujdesu për librat shkollorë. Ata përmbajnë dije të dobishme, që të bëjnë dobi në dynja dhe në ahiret. Mos vepro si disa nxënës që në libra shkruajnë fjalë të pahijshme, emra të të degjeneruarve dhe të të degjeneruarave dhe fjali të pavlera.
    3. Respektoje dhe nderoje mësuesin tënd. Me këtë e respekton dijen. Mësuesi yt është ai që ta ndriçon rrugën dhe të nxjerr nga errësira e padijes, me lejen e Allahut.
    4. Për veshjen, fjalët, pamjen dhe ecjen tënde, merri shembull vetëm të drejtët dhe të mirët. Kujdes që në to t’u përngjash të pafeve dhe të degjeneruarve. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush i përngjan një populli, ai është prej tyre.”[9]

    Me një hadith tjetër: “Nuk është nga ne ai që u përngjason të tjerëve.”[10]

    1. Përkujdesu që shokun e mirë ta zgjedhësh në fillim të vitit shkollor dhe ruaju nga shoqëria e keqe. Shoku është adresa e shokut të vet. Thuhet: “Më trego se kë e shoqëron, të tregoj se kush je ti.”

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Shembulli i shokut të mirë dhe atij të keq, është si shembulli i bartësit (poseduesit) të miskut dhe farkëtarit. Poseduesi i miskut ose të dhuron prej miskut, ose ti e blen prej tij, ose e nuhat erën e mirë të miskut prej tij, kurse farkëtari, ose t’i djeg rrobat, ose do të ndiesh prej tij erën e keqe.”[11]

    Këshilla drejtuar mësuesit

    1. Mësuesi duhet ta ndiejë madhështinë e përgjegjësisë dhe amanetit që e bart mbi supet e tij, që të edukojë breza dhe të përgatitë umet, prandaj mos e tradhtoni amanetin. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Secili prej jush jeni barinj dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e vet.”[12]

    Allahu thotë: “O besimtarë! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije.” (El-Enfal: 27)

    1. Nga amaneti është:

    – Përgatitja e mirë e mësimeve, zotimi i lëndës dhe shpjegimi kualitativ.

    – Mosangazhimi i nxënësve me atë që nuk u bën dobi.

    – Mosvonimi për në orë ose ligjëratë pa arsye.

    – Barazi me të gjithë nxënësit dhe të mos u kushtojë rëndësi disa nxënësve në llogari të nxënësve të tjerë.

    – Kontrollim i nxënësve, që të mos angazhohen me muhabete ose gjumë.

    1. Mësuesi duhet të përpiqet në maksimum që të jetë shëmbëlltyrë e mirë për nxënësit, e sidomos në një kohë ku roli i mësuesit është ulur tepër, ambiciet janë dobësuar, dhënia pas dëfrimit është shtuar dhe fëmijët si shëmbëlltyrë i marrin të degjeneruarit. Për të mos ndodhur e gjithë kjo, mësuesi duhet të punojë shumë që të jetë shëmbëlltyrë e mirë.
    2. Mësuesi për mësimdhënien e tij duhet të llogaritë në shpërblimin e Allahut si thirrje për në fenë e Allahut me mençuri dhe këshilla të bukura. Sa i riu hapat e parë të udhëzimit i ka bërë në shkollë nga ndikimi i mësuesit të tij, me sjellje, dije dhe vepër.
    3. O ti mësues, sa mirësi e madhe është kur i sheh nxënësit e tu si garojnë për në rreshtin e parë në xhami, si nxitojnë për në tubime të dijes dhe ndeja të hairit, shkaku i këshillave dhe fjalëve që i kanë dëgjuar prej teje.
    4. Edukata vjen para arsimit. Shkolla është shtëpia e dytë e fëmijës, prandaj udhëzimi i tij për në moral është më i mirë sesa të ushqyerit e tij me informacione! Mbjelljua në shpirt nxënësve amanetin, sinqeritetin, virtytshmërinë, moralin e mirë, virtytet e larta dhe ndjenjën e përgjegjësisë.
    5. Edukoji nxënësit me rrëfimin e ndonjë tregimi dhe ndodhie.
    6. Mësoja nxënësit fjalët profetike dhe shprehjet e mira se si të fillohet me fjalën bismilah (me emrin e Allahut) para fillimit të orës ose para çdo pune të mirë, dhe shpjegoja se si gjatë gëzimit bëhet falënderimi i Allahut me fjalë dhe me vepra.
    7. Me nxënësit bëhu i butë dhe i mëshirshëm sikurse prindi me fëmijën e vet. Duro dhe llogarit në shpërblimin e Allahut kur prej tyre buron ndonjë sjellje e keqe ose mangësi, duke e ndjekur kështu fjalën e edukatorit të madh, Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Unë jam dërguar që t’jua mësoj fenë dhe për ju jam në gradën e prindit.”[13]
    8. Kujdesu për ndjenjat e nxënësve, mos i turpëro dhe mos i emërto me emra të këqij. Disa mësues i emërtojnë nxënësit me emra specifikë dhe ata iu mbeten derisa të vdesin. Ka edhe raste kur mësuesi me disa fjalë ua ul nxënësve aspiratat duke iu thënë: “Kjo pyetje është më e pavlerë që e kam dëgjuar në jetën time”, “budalla budalla”, “nuk kam parë budallallëk sikurse ky”, e të ngjashme to!
    9. Ndëshkimi i nxënësve nuk bëhet çdoherë me rrahje. Disave u përshtatet kjo metodë, e disa të tjerëve jo. Disave u përshtatet shikimi i tyre me hidhërim ose heshtja e papritur e tyre nga të folurit, disave u përshtatet ulja e notës ose distancim i lehtë prej tij.
    10. Kujdes nga sharja, ofendimi dhe fyerja në origjinë: “Besimtari nuk është fyes, e as mallkues, as vulgar, e as gojëfëlliqur.”[14]
    11. Nëse mësuesi detyrohet që ta ndëshkojë nxënësin, të mos harrojë se qëllimi i ndëshkimit është që nxënësi të mos e përsëritë sjelljen e padëshiruar, e jo hakmarrja. Prandaj, ashpërsia dhe forma e ndëshkimit duhet të jenë sipas gabimit të bërë. Nxënësi duhet ta mësojë se pse po ndëshkohet, nuk duhet të dëmtohet e as të rrahet në vende të ndjeshme të trupit si në fytyrë dhe jo të rrahet gjatë zemërimit.
    12. Mësuesi duhet të mundohet që t’i zbulojë talentet e fëmijëve dhe t’i nxjerrë fuqitë e tyre të brendshme, si dhe ta mbjellë shpirtin garues të drejtë në mes tyre.

    Këshilla drejtuar përgjegjësve të shkollave

    1. Shkolla është qerpiç nga qerpiçët e ndërtimit të umetit dhe ju bartni mesazh të madh në rrugën e ndërtimit dhe përgatitjes së të rinjve të këtij umeti. Nga shkolla dalin dijetarët, thirrësit, mjekët, arkitektët, gjykatësit, ushtarët, zdrukthëtarët etj.
    2. Arsimi është mjet bazë për ecjen para dhe përparimin e umetit. Ai nuk duhet të merret synim që me të njerëzit të krenohen, andaj mbi ju bie përgjegjësia që nxënësit t’i mësoni se pse mësojnë ata dhe çfarë duhet të japin për këtë umet?!
    3. Nxënësit patjetër të nxiten dhe t’u jepet kurajo për mësim. Është realitet i qartë se ka rënie të nivelit të nxënësve në moral, në dije dhe në edukatë, prandaj patjetër duhen që të mësohen nevojat e nxënësve që ato të plotësohen, të dihen problemet e tyre me të cilat ballafaqohen në mësim që ato të zgjidhen dhe të largohen.
    4. Nga mjetet e shërimit të rënies së nivelit të nxënësve është përkujdesja për pamjen e shkollës nga brenda dhe jashtë, prezantimi i lëndës në forma të ndryshme dhe tërheqëse nëpërmjet pyetjeve dhe përgjigjeve, përdorimit të videove dhe mjeteve arsimore të ndryshme për marrjen e informacionit, hapjen e derës së debatit në mes mësuesit dhe nxënësve. Kështu ata stërviten të mendojnë dhe zhvillohen ideologjikisht dhe intelektualisht.
    5. Përgjegjësit e shkollave duhet të kenë kujdes që të mos i tejkalojnë kufijtë e fesë dhe moralit për t’i kënaqur disa nxënës dhe prindërit e tyre.

    E lusim Allahun që këtë vit shkollor ta bëjë të hairit, të mbarshëm e të suksesshëm dhe nxënësit myslimanë t’i drejtojë. E lusim po ashtu që të na japë mbarësi në atë që Ai e do dhe Atë e kënaq.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

    [1] Sunen Et-Tirmidhij (4/638).

    [2] Tirmidhiu (2416), shejh Albani hadithin e saktësoi në Es-Sahiha (946).

    [3] Buhariu (2409), Muslimi (1829).

    [4] Nesaiu në El-Kubra (9129) dhe Albani e vlerësoi si hadith të saktë.

    [5] Ebu Davudi (4833), Tirmidhiu (2378), hadithi është në Es-Sahiha (927).

    [6] Muslimi (2999).

    [7] Ibën Hibani (970), Bejhakiu në Ed-Da’avat (265), shejh Albani e saktësoi në Es-Sahiha (2886).

    [8] Buhariu (2893).

    [9] Ebu Davudi (4031), shejh Albani e saktësoi.

    [10] Tirmidhiu (2695), shejh Albani e vlerësoi të mirë bazuar në rrugët e tjera të hadithit. Es-Sahiha (2194).

    [11] Buhariu (5534), Muslimi (2628).

    [12] Buhariu (2409), Muslimi (1829).

    [13] Ebu Davud (8), hadithi është në Sahih El-Xhami’ (2346).

    [14] Tirmidhiu (1977), hadithi është në Es-Sahiha (320).

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan Jahiu

    Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”

  • DISA NGA CILËSITË E BESIMTARËVE NË KURAN

    DISA NGA CILËSITË E BESIMTARËVE NË KURAN

    O ju njerëz, keni frikë Allahun dhe meditoni rreth asaj që e përmendi Allahu nga cilësitë e besimtarëve në Kur’an me qëllim që të merrni mësime dhe shembuj nga to. Allahu në Kur’an cilësitë e besimtarëve i ceki në shumë ajete e ndër to janë edhe ato cilësi që i ceki në fillim të sures (El-Mu’minun:: Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve), – të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht”. (El-Mu’minun: 1-11)

    I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, rëndësinë e këtyre ajeteve e qartësoi në një hadith të cilin e përcjell imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Mua më zbritën dhjetë ajete dhe kush punon me to hyn në Xhenet”, e pastaj i lexoi ajetet e para të sures Mu’minun.

    Gjithashtu imam Nesaiu, Allahu e mëshiroftë, e përcjell një hadith nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila kur u pyet për moralin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, tha se morali i tij ishte Kur’ani dhe i lexoi ajetet: Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët” e deri te “dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet”. (El-Mu’minun: 1-9), dhe tha: “Kështu ka qenë morali i të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam”.

    Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, dëshiroi të na njoftojë se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, vepronte me këto ajete dhe përshkruhej me këto cilësi të cilat i përmbajnë këto ajete nga cilësitë e mira.

    Allahu i Madhëruar na bëri me dije se besimtarët që pajisen me këto cilësi, ata janë fitimtarët, të lumturit dhe të shpëtuarit, kurse ata që nuk pajisen me këto cilësi janë të humburit ashtu siç tha edhe vet i Madhëruari. “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer, pastaj e çuam atë (kur nuk beson) në gjendjen më të ulët, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira: ata do të kenë shpërblime të pandërprera”. (Et-Tin: 4-6); “Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin”. (El-Asr: 1-3)

    Allahu i Madhëruar në këto ajete na tregoi se çdo njeri është në humbje përveç atij që përshkruhet me besim dhe me vepër të mirë dhe thirr në të mirë dhe ndalon nga e keqja dhe bën durim në atë që sprovohet.

    Thënia e Allahut: “të cilët janë të përulur në namazin e tyre”. (El-Mu’minun: 2), na bën me dije rëndësinë e faljes së namazit dhe pozitën e tij në Islam dhe se është një prej cilësive të besimtarëve për arsye se namazi është shtyllë e fesë dhe shkak që të mbron nga e shëmtuara dhe të largon nga e liga dhe ta lehtëson veprimin e punëve të mira ashtu siç thotë edhe Allahu: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz”. (El-Bekare: 45)

    Përkujdesja për namazin duhet të jetë primare për muslimanin për arsye se gjëja e parë që do të japë llogari robi në Ditën e Kiametit do të jetë namazi. Të përulur në namaz do të thotë që zemra jote të jetë e pranishme në namaz e nënshtruar para Allahut dhe gjymtyrët e tua të jenë të qeta, pa lëvizje të panevojshme. Përulja në namaz është shpirti i tij dhe ajo që kërkohet në të dhe robi nuk merr nga namazi i tij vetëm se aq sa ka qenë prezentë shpirti i tij. Preokupimi i zemrës në namaz me gjëra të kota që nuk kanë lidhje me namazin dhe bërja e lëvizjeve të tepërta të panevojshme është sjellje dhe moral i keq me Allahun. Kthimi i fytyrës në të majtë apo në të djathtë është largim i fytyrës nga Allahu dhe mashtrim i shejtanit i cili tenton që t’i vjedh robit nga namazi i tij dhe kjo është argument i shkujdesjes së zemrës së tij nga namazi.

    Thënia e Allahut: “të cilët shmangen nga fjalët e kota”. (El-Mu’minun: 3), e ka për qëllim largimin nga çdo e kotë dhe këtu përfshihet edhe shirku dhe të gjitha llojet e mëkateve dhe po ashtu e përfshin atë që nuk ka dobi prej saj nga thëniet dhe veprat.

    Prej cilësive të besimtarëve është se ata i shmangen të gjitha llojeve të kotës dhe janë të preokupuar vetëm se me të vërtetën dhe të dobishmen për ta. Ata nuk i dëgjojnë përgojimet dhe bartjet e fjalëve, muzikën dhe instrumentet muzikore, nuk shikojnë në të kotën që u prezantohet nëpërmjet filmave dhe serialeve të ndryshme, nuk ulen nëpër mexhlise e dëfrimit ku në flitet e kota dhe veprohen mëkate e gjynahe dhe nuk i përgjigjen ftesave të atyre që e shpërndajnë të kotën nëpër tokë.

    Thënia e Allahut: “të cilët japin zeqatin”. (El-Mu’minun: 4), e ka për qëllim ata që e pastrojnë veten duke vepruar vepra të mira (fjala zeqatë në aspekt gjuhësor do të thotë pastrim dhe shtim) dhe duke iu larguar ndalesave dhe duke e dhënë zeqatin e pasurisë së tyre.

    Thënia e Allahut: “të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve)”. (El-Mu’minun: 5-7), e ka për qëllim ata që e ruajnë nderin e tyre duke mos rënë në imoralitet dhe homoseksualizëm dhe po ashtu iu larguan çdo mjeti i cili të çon deri në shthurje morale. Për këtë ata iu larguan shikimit të ndaluar, e stolisën veten me petkun e devotshmërisë dhe i larguan gratë nga përzierja me burra të huaj dhe nga udhëtimi pa mahrem dhe u larguan nga shikimet e filmave të degjeneruar dhe pamjeve të ndaluara. Pastaj Allahu i Madhëruar e qartësoi se atij që nuk i mjafton ajo që ia lejoi Allahu nga kënaqësitë me gratë e veta dhe i tejkalon kufijtë duke i bërë mëkat Allahut, ai do të jetë meritor i ndëshkimit dhe dënimit të Allahut.

    Thënia e Allahut: “të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra”. (El-Mu’minun: 8), e ka për qëllim ata që i marrin amanetet duke filluar nga detyrimet fetare, të drejtat në pasuri, fshehtësive, pastaj mjeteve dhe sendeve të ndryshme, janë të detyruar që amanetin ta dërgojnë deri në vend dhe të përkujdesen për të ashtu siç e meriton ai amanet të përkujdeset. Po ashtu punëtorët dhe udhëheqësit janë të detyruar që amanetet e tyre që i kanë marrë tua japin hakun dhe mos t’i bëjnë padrejtësi njerëzve dhe tua kthejnë amanetet atyre që u përkasin: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin”. (En-Nisa: 58)

    Marrja e amanetit do të thotë përkujdesja për të dhe të kthyerit e tij deri tek pronari në gjendje të mirë ashtu edhe siç e ke marrë për arsye se kjo është besëlidhje dhe besëlidhja duhet që të respektohet dhe mos të thyhet: “Zbatoni besëlidhjen e Allahut, kur ta merrni mbi vete”. (En-Nahl: 91)

    Thënia e Allahut: “dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet”. (El-Mu’minun: 10), na qartëson vlerën dhe rëndësinë e namazit për arsye se Allahu fillon në fillim të sures me cekjen e faljes së namazit dhe i përfundon këto ajete me përmendjen e namazit dhe nxitjes që ai të falet rregullisht. Përkujdesja për namaz do të thotë falja e tij në kohë duke marrë abdes si duhet dhe duke i plotësuar kushtet, shtyllat, detyrimet dhe duke e falur në kohët e veta dhe në vendet ku ka urdhëruar Allahu që të falet e ato janë xhamitë edhe atë së bashku me xhemat. Kush len diçka nga këto dispozita pa asnjë arsye fetare nuk bën pjesë në ata që përkujdesen për namazin, madje ai konsiderohet nga ata që e neglizhojnë atë dhe për të cilët Allahu thotë: “Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh”. (Merjem: 59); “Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet”. (El-Maunë: 4-5)

    Allahu i Madhëruar në fund të këtyre ajeteve e përmend shpërblimin e atyre që pajisen me këto cilësi të cekura në ajete dhe thotë: “Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht”. (El-Mu’minun: 11)

    Përcillet se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kështu, kur të kërkoni prej Allahut (ndonjë gjë), kërkoni Firdeusin, i cili është pjesa e më e mirë dhe më e lartë e Xhenetit Përmbi të (Firdeusin) është Arshi i të Gjithëmëshirshmit (Allahut) dhe prej andej vërshojnë lumenjtë e Xhenetit”.

    Pastaj Allahu i Madhëruar e mbaron ajetin ku e cek se qëndrimi i tyre në Firdeus do të jetë i përjetshëm dhe nuk do të kenë nevojë për frikë se kjo do tu humb apo do të kalojë tek të tjerët dhe se ata do të nxirren nga ai.

    E lus Allahun që me mëshirën dhe begatinë e Tij të na bën prej banorëve të Firdeusit.

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

     

  • DASHURIA E ALLAHUT NDAJ TË DËRGUARIT TË TIJ,  ALEJHI SALATU UE SELAM   

    DASHURIA E ALLAHUT NDAJ TË DËRGUARIT TË TIJ, ALEJHI SALATU UE SELAM  

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e pejgamberëve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin, biri i Abdullahut dhe rob i Allahut.

    Shumë ajete të Kur’anit aludojnë në dashurinë dhe përkujdesjen e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, ku Allahu nganjëherë e lavdëron dhe e përshkruan me cilësitë më të bukura dhe më të plota, nganjëherë betohet në jetën e tij, e nganjëherë e urdhëron Umetin e tij me madhërimin dhe me respektimin e tij dhe dërgimin e salavateve të shumta mbi të.

    Në vazhdim do t’i përmendim disa ajete në të cilat paraqitet dashuria dhe përkujdesja e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, dhe nga ato ajete e veçojmë fjalën e Allahut: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues”. (El-Ahzab: 45-46)

    Thënia “dëshmitar” sipas njërit mendim është se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, do të jetë dëshmitar vetëm se përmbi Umetin e tij kurse sipas mendimit tjetër do të jetë dëshmitar përmbi të gjitha umetet ashtu siç tha edhe vetë i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam: “Në Ditën e Kiametit thirret Nuhi, alejhi selam, nga Allahu dhe i thotë: A e ke përcjell Mesazhin? Nuhi, alejhi selam, thotë: Po. Atëherë i thuhet popullit të Nuhit se a jua ka përcjell Mesazhin? Populli thotë: Nuk na ka ardhur neve qortues. Allahu atëherë i thotë Nuhit: Kush është dëshmitar për ty? Nuhi thotë: Muhamedi, alejhi selam, dhe Umeti i tij. Atëherë dëshmojnë (Muhamedi, alejhi selam, dhe Umeti i tij) se Nuhi e ka kryer misionin e tij. Pastaj e lexoi fjalën e Allahut: Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit”. (El-Bekare: 143)

    Allahu, azze ue xhel, po ashtu tha: “Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?!”. (En-Nisa: 41)

    Muhamedi, alejhi salatu ue selam, është përgëzues me Xhenet për ata i që nënshtrohen dhe paralajmërues me dënim të rreptë për ata që nuk i nënshtrohen: “njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues”. (El-Ahzab: 46) Ai thirr në fenë e Allahut, e qartëson të vërtetën nga e kota dhe udhëzimin nga devijimi.

    Allahu ia lavdëroi gjuhën e tij dhe tha: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij”. (En-Nexhm: 3-4)

    Ia lavdëroi shikimin e tij dhe tha: “Shikimi i tij nuk u shmang dhe as nuk e kaloi masën”. (En-Nexhm: 17)

    Ia lavdëroi mësuesin e tij dhe tha: “Atë ia ka mësuar atij një (engjëll) shumë i fuqishëm (Xhibrili)”. (En-Nexhm: 5)

    Ia lavdëroi rrugën e tij dhe tha: “Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë”. (Esh-Shura: 52)

    Ia lavdëroi moralin e tij dhe tha: “se ti je me virtyte madhore”. (El-Kalem: 4)

    Allahu e urdhëroi Umetin e tij me nderimin dhe lavdërimin e tij dhe tha: “Me të vërtetë, Ne të kemi dërguar ty (Muhamed) dëshmitar, sjellës të lajmeve të mira dhe paralajmërues, që t’i besoni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që ta ndihmoni e ta nderoni atë (Muhamedin alejhi salatu ue selam) dhe që ta lavdëroni Atë (Allahun) me namaz në mëngjes dhe mbrëmje “. (El-Fet’h: 8-9)

    Nga nderimi dhe respektimi i tij është mos nxitimi para urdhrit të tij ashtu siç na mëson Allahu dhe thotë: “O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij”. (El-Huxhurat: 1)

    Nga madhërimi dhe respektimi i tij është mos ngritja e zërit tonë mbi zërin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ashtu siç thotë edhe Allahu: O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos i flisni atij me zë të lartë, siç bëni me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos ju humbin veprat tuaja pa e ndier ju fare”. (El-Huxhurat: 2)

    Nga respekti i tij është edhe mos thirrja e tij ashtu siç e thërrisnin njëri-tjetrin dhe thoshin: O Muhamed, o Ebu Kasim. Allahu ua ndaloi këtë dhe i urdhëroi që ta thërrasin me epitetin e Profetësisë dhe filluan ta thërrasin. O Lajmëtar i Allahut, o i Dërguari i Allahut.

    Nga shenjë respekti ndaj tij është dhënia e lëmoshës para këshillimit me të ashtu siç thotë edhe Allahu: “O besimtarë, kur të doni të këshilloheni me të Dërguarin, para këshillimit, jepni lëmoshë, kjo është më mirë dhe më pastër për ju. Po, nëse nuk keni, Allahu me të vërtetë, është Falës dhe Mëshirëplotë”. (El-Muxhadele: 12)

    Nga respektimi i tij është edhe ajo kur ata gjenden me atë në një punë të përbashkët nuk largohen para se të kërkojnë leje prej tij: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe të cilët, kur gjenden me atë (të Dërguarin) në një punë të përbashkët, nuk largohen para se të kërkojnë leje prej tij”. (En-Nur: 62)

    Nga respektimi tij është edhe respektimi i etikës së vizitës kur të vizitohet i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ashtu siç thotë Allahu: “O besimtarë, mos hyni në shtëpitë e të Dërguarit, përveç rastit kur ju është dhënë leje për të ngrënë, por jo të pritni përgatitjen e tij (ushqimit)!” (El-Ahzab: 53)

    Ajo që aludon në dashurinë dhe përkujdesjen e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është thënia e Allahut: “dhe ta ngritëm lart emrin?!”. (El-Inshirah: 4)

    Nga ngritja e emrit të tij është se kur robi e përmend emrin e Allahut sikurse në ezan apo hutbe apo ndokund tjetër e përmend edhe emrin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam.

    Nga ajo është edhe largimi i ofendimit dhe nënçmimit të Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, nga ana e kurejshëve.

    Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell nga Muhamedi, alejhi salatu ue selam, të ketë thënë: A nuk çuditeni se si e largon Allahu nga unë sharjen dhe mallkimin e kurejshëve, ata e shajnë një Mudhem-mem (njeri i ultë i qortuar i palavdëruar) e une jam Muhamed (i Lavdëruari te i cili janë tubuar të gjitha cilësitë e mira).

    Kurejshët kur e thërrisnin Muhamedin, alejhi salatu ue selam, ia ndërronin emrin i cili aludonte në cilësi të mira dhe të ndershme dhe thoshin: Allahu e mallkoftë Mudhem-mem (njeri i ultë i qortuar i palavdëruar).

    Ajo që aludon në dashurinë e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është butësia me të, të cilën e cek Allahu në librin e Tij: Allahu të fal ty që u lejove atyre të mungojnë”. (Et-Teube: 43)

    Po ashtu në ajetin: “Ai u vrenjt dhe ktheu kurrizin, kur i erdhi pranë i verbri. E ku e di ti, ndoshta ai dëshironte të pastrohej (nga gjynahet) ose të merrte këshillë, e këshilla t’i sillte dobi atij?!” (Abese: 1-4)

    Ajo çka aludon në dashurin e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, dhe mëshirën e Tij është thënia e Allahut: “Tâ, Hâ. Ne nuk ta kemi shpallur Kur’anin ty (o Muhamed), për të të munduar”. (Ta Ha: 1-2)

    I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, nga dashuria e madhe që e ndjente ndaj Allahut dhe adhurimit të Tij falte namaz nate derisa iu ënjteshin këmbët e tij dhe Allahu e mëshiroi dhe e zbriti ajetin: “Tâ, Hâ. Ne nuk ta kemi shpallur Kur’anin ty (o Muhamed), për të të munduar”. (Ta Ha: 1-2)

    Nga ajetet që aludojnë në mëshirë të Allahut ndaj tij e kemi edhe ajetin: “Ne e dimë se ty të zemëron ajo që thonë ata. Në të vërtetë, nuk je ti ai që po mohojnë ata, por keqbërësit po mohojnë shpalljet e Allahut”. (El-En’am: 33)

    Nga mëshira e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, i tha që të mos mërzitet nga përgënjeshtrimi që ia bënin populli i tij dhe i zbriti ajete ku në to tha: “Ne e dimë se ty të zemëron ajo që thonë ata. Në të vërtetë, nuk je ti ai që po mohojnë ata” (El-En’am: 33) Kjo, për arsye se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ishte i sinqerti dhe besniku dhe jobesimtarët e kishin besim se ai nuk gënjen për Allahun por ata i mohonin argumentet e Allahut dhe mohimi nuk bëhet vetëm se pas njohjes ashtu siç e cekë edhe Allahu në Kur’an: “Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi, edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta”. (En-Neml: 14)

    Nga ajo që aludon në dashurinë e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, kënaqësia e Allahut me të ashtu siç thotë edhe Allahu në Kur’an: “Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli. Mirë pra, Ne do të të kthejmë ty nga kibla që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde nga Xhamia e Shenjtë (Qabja)!”. (El-Bekare: 144)

    I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, në fillim u fal kah Bejtul Makdesi shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë muaj dhe dëshira e tij ishte që të kthehet kah Qabja e Ndershme dhe Allahu i zbriti ajete ku tha: “Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli”. (El-Bekare: 144)

    Nga ajo që aludon në dashurinë e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është edhe surja Duha. Thuhet se shkaku i zbritjes së këtij ajeti ka qenë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e kishte pas lënë namazin e natës për disa arsye të disa pengesave që i kishte në ato momente dhe Umu Xhemil, gruaja e Ebu Lehebit, kishte pas thënë se ky shoku i juaj e ka lënë namazin dhe Allahu e zbriti në mbrojtje të Dërguarit të Tij suren Duha.

    Nga ajo që aludon në dashurinë e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është se Allahu është betuar në jetën e tij dhe ka thënë: “Betohem për jetën tënde (o Muhamed), se ata ishin vërtet të përhumbur në dehjen e tyre!”. (El-Hixhr: 72)

    Imam Taberiu, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Allahu nuk është betuar në jetën e askujt tjetër përveç se në jetën e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe jeta e tij është meritore për të betuar në të duke pasur parasysh hajrin e përgjithshëm dhe të veçantë në të”.

    Nga ajo që aludon në dashurinë dhe respektin e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është edhe thënia e Allahut: “Betohem për këtë vend, në të cilin ti je i lirë (o Muhamed)”. (El-Beled: 1-2)

    Vendi i përmendur në ajet është Mekja. Ky është vendi më i ndershëm dhe është rritur ndershmëria e tij me qëndrimin e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, në të.

    Nga ajo që aludon në dashurinë dhe respektin e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është se Allahu na urdhëroi me një çështje nga e cila Ai vet filloi i pari e pastaj melekët e Tij dhe nuk ka në gjithë Kur’anin ndonjë urdhër ligjor në këtë formë: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”!” (El-Ahzab: 56)

    Nga ajo që aludon në dashurinë dhe përkujdesjen e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është thënia e Allahut: “I Cili e sheh qëndrimin tënd në këmbë (gjatë namazit) dhe lëvizjet e tua midis atyre që përulen në sexhde”. (Esh-Shuara: 218-219)

    Nga ajo që aludon në dashurinë dhe përkrahjen e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është thënia e Allahut: “Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin, alejhi salatu ue selam), Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne”. (Et-Teube: 40)

    Nga ajo që aludon në dashurinë dhe respektin e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, është thënia e Allahut: “Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që të tallin”. (El-Hixhr: 95)

    Allahu garantoi se Ai do t’i dënojë të gjithë ata që tallen me të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam.

    Kur i tha atij Ebu Lehebi t’u thafshin duart tërë ditën a për këtë na tubove? Allahu zbriti ajete ku tha: “Ju thafshin duart Ebu Lehebit dhe u thaftë në gjithçka! Nuk do ta ndihmojnë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera. Ai, me siguri, do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara, po ashtu edhe gruaja e tij, që mbart drutë e zjarrit, në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh palme”. (El-Mesed: 1-5)

    Çdo musliman deri Ditën e Kiametit do ta lexon këtë ajet: “Ju thafshin duart Ebu Lehebit”. (El-Mesed: 1)

    Po ashtu ia mbrojti nderin të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, në rastin e shpifjes ndaj Aishes, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, dhe zbriti ajete të cilat do të lexohen deri në Ditën e Kiametit.

    Dr. Ahmed Ferid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • VLERA E MEXHLISEVE KU PËRMENDET ALLAHU

    VLERA E MEXHLISEVE KU PËRMENDET ALLAHU

    Mexhliset ku përmendet Allahu, azze ue xhel, janë mexhliset më të pastra, më me vlerë, më të dobishmet, më madhështore dhe më të respektuara te Allahu.

    Përcillen shume citate rreth vlerës së këtyre mexhliseve, se ato janë jetë për zemrat, rritje për besimin, përmirësues dhe pastrim për njeriun, në krahasim me mexhliset e neglizhencës ku nuk përmendet Allahu. Nuk ngrihet njeriu prej atyre mexhliseve vetëm se me besim më të mangët, me zemër më të dobët, ku për të do të bëhet pikëllim, brenga dhe pendim.

    Të parët tanë këtyre mexhliseve i kushtonin rëndësi të veçantë dhe i respektonin shumë.

    Abdullah ibën Revaha, radijallahu anhu, i kapte për dore disa prej shokëve të tij dhe u thoshte: “Ejani të besojmë disa çaste, ejani ta përmendim Allahun, ta rrisim besimin duke iu nënshtruar, e ndoshta Ai na përmend me falje.”

    Umejr el Hatamij, radijallahu anhu, thoshte: “Besimi rritet dhe pakësohet.” – U pyet se çka e rrit dhe pakëson? – Tha: “Kur e përmendim Allahun, azze ue xhel, dhe e falënderojmë dhe e lartësojmë, kjo e rrit besimin. Kur e neglizhojmë, e humbim dhe e harrojmë, kjo e pakëson besimin.”

    Mexhliset ku përmendet Allahu janë kopshtet e Xhenetit në tokë. Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu transmetojnë prej Enes ibën Malikut, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur të kaloni nëpër kopshtet e Xhenetit, qëndroni në to.” I thanë: “Cilat janë kopshtet e Xhenetit?” U përgjigj: “Ato janë mexhliset ku përmendet Allahu.”

    Ibni Ebi Dunja dhe Hakimi na përcjellin prej Xhabir ibën Abdullahut, radijallahu anhu, i cili thotë: Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, një ditë doli dhe na tha: “O ju njerëz, qëndroni në kopshtet e Xhenetit.” – O i Dërguar i Allahut, cilat janë kopshtet e Xhenetit? – U përgjigj: “Ato janë mexhliset ku përmendet Allahu.” – Pastaj tha: “Ngrihuni, shkoni dhe përmendeni Allahun. Ai i cili dëshiron ta dijë pozitën e tij te Allahu, le ta shikojë pozitën e Allahut në veten e vet, se Allahu ia zbrit pozitën robit të Tij aq sa e zbret robi pozitën e Allahut në vete.”

    Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush dëshiron të jeton në kopshtet e Xhenetit të dynjasë, le të bëhet banor i mexhliseve ku përmendet Allahu, se ato janë kopshtet e Xhenetit.”

    Mexhliset ku përmendet Allahu janë mexhlise të melekëve. Ato nuk kanë mexhlise tjera në dynja, përveç se mexhliseve ku përmendet Allahu.

    Ebu Hurejra, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu ka caktuar melaqe që shëtisin nëpër rrugë duke kërkuar ata që përmendin Allahun. Dhe nëse gjejnë ndonjë grup që përmendin Allahun, i thonë: Na i tregoni nevojat tuaja dhe i rrethojnë me krahët e tyre deri në qiellin e dynjasë. Allahu i pyet melekët, ndërkohë që Ai e di më mirë: “Çfarë po thonë robërit e Mi?” Melekët i përgjigjen: “Ty të lavdërojnë, o Allah, Ty të falënderojnë, Ty të madhërojnë dhe Ty të lartësojnë.” Allahu iu thotë: “Vallë, a më kanë parë Mua?” I thonë: “Jo, për Ty (betohen), nuk të kanë parë.” Allahu iu thotë: “Po sikur të më kishin parë Mua?” Melekët përgjigjen: “Sikur të kishin parë Ty, ata do të lavdëronin edhe më shumë, do të falënderonin edhe më shumë.” Allahu i pyet: “Çfarë kërkojnë prej meje?” I përgjigjen: “Xhenetin.” Allahu iu thotë: “Vallë a e kanë parë Xhenetin?” I përgjigjen: “Jo, për Ty, nuk e kanë parë.” Allahu iu thotë: “Po sikur ta kishin parë?” I përgjigjen: “Do ta kërkonin pa pushim, dhe do të përpiqeshin me çdo kusht ta fitonin.” Allahu iu thotë: “Nga se kërkojnë mbrojtje prej Meje?” I përgjigjen: “Nga zjarri i Xhehenemit.” Allahu i pyet: “A e kanë parë atë?” I përgjigjen: “Jo, pasha Ty, nuk e kanë parë.” Allahu iu thotë: “Po sikur ta kishin parë?” I përgjigjen: “Nëse do ta kishin parë atë, do t’i largoheshin e frikësoheshin akoma më shumë.” Allahu thotë: “O melaqet e Mia, Unë ju bëj dëshmitarë juve se Unë i kam falur ata.” Një prej melekëve thotë: “O Allah, aty ndodhet një person i cili nuk është aty për tjetër pos për nevojat e veta.” Allahu thotë: “Tek ai mexhlis edhe ai që është rastësisht nuk do të dalë i humbur.”

    Pra, mexhliset ku përmendet Allahu janë mexhlise të melekëve, ndërsa mexhliset e dëfrimit dhe neglizhencës janë mexhlise të shejtanëve. Çdo njëri shkon te ajo çka i përshtatet dhe i takon. Pra, le ta zgjedh njeriu më të mirën dhe atë që më së shumti e mahnit. Ai që rri me atë që e përmend Allahun është i lumtur, në krahasim me atë që është neglizhent dhe dëfryes. Ai e dëmton shokun dhe e bën të palumtur.

    Mexhliset ku përmendet Allahu e mbrojnë njeriun prej pikëllimit dhe pendimit në Ditën e Kiametit, kurse mexhliset e dëfrimit do të jenë pikëllim dhe pendim në Ditën e Kiametit. Ebu Hurejra, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush ulet në një vend dhe nuk përmend Allahun, ajo tek Allahu është humbje kohe dhe do të pendohet, dhe kush shtrihet në një shtrat dhe nuk e përmend Allahun, tek Allahu është humbje e kotë dhe do të pendohet.”

    Prej nderit të mexhliseve ku përmendet Allahu, është pozita e lartë e këtij mexhlisi te Allahu dhe se Allahu krenohet para melekëve me ata të cilët e përmendin Atë. Një ditë doli Muaviu, radijallahu anhu, dhe e gjeti një grup njerëzish në xhami, e i pyeti: “Pse jeni tubuar në këtë vend? Thanë: Jemi tubuar ta përmendim Allahun. U tha: Pasha Allahun, vetëm për këtë qëllim jeni tubuar? Thanë: Pasha Allahun, vetëm për këtë qëllim jemi tubuar. U tha: Unë nuk kërkova betimin prej jush nga shkaku se nuk ju besova, mirëpo askush s’ka qenë i afërt me të Dërguarin, salallahu alejhi ue selem, sa kam qenë unë me të, e që ka transmetuar hadithe më shumë se unë. I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, doli një ditë dhe gjeti një grup të shokëve të vet dhe i pyeti: “Pse jeni tubuar?” I thanë: Jemi tubuar ta përmendim Allahun dhe ta falënderojmë që na ka udhëzuar në Islam e na ka dhënë këtë dhuratë. U tha: “Pasha Allahun, vetëm për këtë shkak jeni tubuar?” Thanë: Po, vetëm për këtë qëllim jemi tubuar. U tha: “Unë nuk kërkova prej jush betimin pse nuk ju besova, mirëpo më erdhi Xhibrili, alejhi selam, dhe më lajmëroi se Allahu me ju krenohet para melekëve”.

    Mexhliset ku përmendet Allahu janë shkak për zbritjen e qetësisë shpirtërore, kaplimin e mëshirës dhe rrethimin e melekëve. Muslimi transmeton prej Ebi Muslim el Egër, radijallahu anhu, i cili thotë: Dëshmoj për Ebu Hurejren dhe Ebi Seidin se ata kanë dëshmuar për Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, se ai ka thënë: “Nuk ulet një popull në një mexhlis ku përmendet Allahu, përveç se i mbulon mëshira e Allahut, i rrethojnë melekët dhe Allahu i përmend në mesin e atyre që janë tek Ai.”

    Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Mexhliset ku përmendet Allahu janë shkak i madh për mbrojtjen e gjuhës dhe mbrojtjen e saj prej fyerjeve dhe bartjes së fjalëve, prej sjelljeve të pamoralshme dhe prej së kotës. Njeriu patjetër detyrohet që të flas. Në rast se nuk flet duke e përmendur Allahun dhe urdhëresat e Tij dhe nuk flet diçka të mirë dhe të dobishme, atëherë ai patjetër do t’i bëj këto mëkate. Kush e ushtron gjuhën e tij në përmendjen e Allahut e mbron gjuhën e tij prej të kotës dhe dërdëllitjeve. Ndërsa kujt i thahet gjuha prej përmendjes së Allahut, do të flas çdo të kotë, çdo të gjepur dhe çdo gjë të pamoralshme.”

    E lus Allahun, azze ue xhel, që ta plotësojë kohën tonë me adhurim dhe mexhliset e tona t’i bëj mexhlise ku përmendet, falënderohet dhe madhërohet emri i Tij, dhe të na mbrojë prej mexhliseve të dëfrimit dhe të kotës, se vetëm prej Tij kërkohet ndihmë dhe se vetëm Ai është që mundet t’i plotëson dëshirat e robërve të Tij.

    Dr. Abdurrezak ibën Abdulmuhsin el Bedr

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

     

  • BESIMI NË SHENJAT E KIAMETIT

    BESIMI NË SHENJAT E KIAMETIT

    O njerëz, frikojuni Allahut dhe dijeni se besimi në Ditën e Kiametit është një nga gjashtë shtyllat e imanit pa të cilën shtyllë nuk plotësohet imani i njeriut.

    Pasi që asaj Dite i paraprijnë shenja që aludojnë në afrimin e saj, neve na mbetet që t’i mësojmë ato për arsye se besimi në to është i patjetërsueshëm dhe është nga bazamentet e ideologjisë së një muslimani. Allahu i Madhëruar thotë: U afrua Ora dhe u ça Hëna. (El-Kamer: 1); A mos vallë mohuesit presin, që t’u vijë befasisht vetëm Ora (e Kiametit)? Ndërkohë, shenjat e saj kanë ardhur. (Muhamed: 18)

    Imam Bagaviu, Allahu e mëshiroftë, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte një nga shenjat e Kiametit.

    Allahu i Madhëruar thotë: E si do ta dije ti që ndoshta Dita e Kiametit është afër. (Esh-Shura: 17) dhe A mos presin ata diçka tjetër, përveç Orës (së Kiametit), që do t’u vijë papritmas e pa e ndier fare?!. (Ez-Zuhruf 66)

    Për shkak se ndodhia e kësaj Dite është afër, Allahu e konsideroi atë sikurse të nesërmen: Çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen!. (El-Hashr: 18); Ata e mendojnë atë (dënim) të largët, kurse Ne e shohim të afërt. (El-Mearixh: 6-7)

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Unë dhe Dita e Kiametit jemi dërguar si këta dy gishta” .

    Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: Mosha juaj në krahasim me moshën e popujve të kaluar është si koha e mbetur prej kësaj dite në krahasim me atë që ka kaluar prej saj” . Me një transmetim tjetër thuhet: “Afati juaj në krahasim me afatin e popujve të mëparshëm është sa koha midis namazit të ikindisë dhe perëndimit të diellit.

    Pasi që çështja e shenjave të Kiametit është e rëndësishme edhe përkujdesja për to është më e madhe në krahasim më çështjet e tjera, kjo është edhe arsyeja se pse i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e shpeshtonte sqarimin e shenjave të saj dhe sprovave që do të ndodhin mes saj dhe e paralajmëronte Umetin e tij që të përgatitet për këtë Ditë. Koha se kur do të ndodhë kjo Ditë e dinë vetëm se Allahu, kurse për të mirën e njeriut ajo u fsheh nga dituria e tij me qëllim që ai të jetë në përgatitje të vazhdueshme ashtu siç u fsheh nga ai edhe momenti i vdekjes së tij me qëllim që ai vazhdimisht të jetë në përgatitje dhe veprim dhe t’i largohet dembelisë dhe përtacisë.

    Imam Safariniju, Allahu e mëshiroftë, thotë se shenjat e Kiametit ndahen në tre lloje:

    1. Shenja të cilat janë paraqitur dhe kanë kaluar dhe ato janë shenja të largëta.

    Këto shenja janë ato që janë paraqitur në të kaluarën dhe janë ndërprerë, si dërgimi i Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe vdekja e tij, çlirimi i Bejtul Makdesit, vrasja e udhëheqësit të muslimanëve Othman ibën Afanit, Allahu qoftë i kënaqur me të, paraqitja e rrenacakëve të cilët pretendojnë se janë të Dërguar, tërmetet e shumta, e shumë shenja tjera të cilat janë paraqitur nëpër citatet e Sunetit.

    1. Shenja të cilat janë të mesme dhe ato janë të cilat janë paraqitur dhe nuk janë ndërprerë madje ato shtohen dhe numri i tyre është shumë i madh.

    Nga to e kemi fjalën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ku thotë: “Nuk do të bëhet Kiameti derisa i ulëti dhe i poshtëri (dhe ata që i përngjasojnë) nuk bëhen njerëz më të lumtur të dynjasë (kryetar e sundimtar të popujve).

    Po ashtu nga shenjat e saj janë ajo që ka ardhur në hadith: “Do të vijë një kohë ku ai që kapet për Fe dhe bën durim në të, të i ngjan atij që është kapur për gacë.

    Nga shenjat tjera janë edhe se para Kiametit do të ketë njerëz injorantë dhe lexues të Kur’anit gjynahqarë, pastaj humbja e amanetit të cilën i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e komentoi me atë që i jepet detyra dhe nuk është i aftë e as i kualifikuar ta kryejë, pastaj ngritjen e diturisë, përhapjen e injorancës, shtimi i imoralitetit dhe pirjes së alkoolit, zvogëlimi i numrave të burrave dhe shtimi i numrave grave derisa një burrë të jetë për pesëdhjetë gra, e shumë shenja të tjera.

    1. Shenjat e mëdha të cilat paraqiten para se të ndodhë Kiameti.

    Nga ato shenja është dalja e Mehdiut, dalja e Dexhallit, zbritja e Isait, alejhi selam, dalja e Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve, shkatërrimi i Qabes, paraqitja e tymit, ngritja e Kur’anit, lindja e diellit nga perëndimi, dalja e kafshës, paraqitja e zjarrit, etj.

    Sidoqoftë, çështja është shumë e rrezikshme kurse ne jemi në një shkujdesje të madhe. Një numër i madh i këtyre shenjave janë paraqitur dhe nuk kanë mbetur vetëm se paraqitja e shenjave të mëdha. Kërkoj nga Allahu që të na përqendrojë dhe përforcojë në fenë e Tij dhe të na mundësojë të vdesim si muslimanë dhe të na mbrojë nga të gjitha fitnet, të dukshmet dhe të fshehtat.

    Këto lajmërime për të ardhmen pa dyshim se janë nga shenjat e profetësisë dhe nga mrekullitë e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të cilat ia ka mësuar Allahu dhe kjo ndikon në përforcimin e imanit të njeriut.

    Në lajmërimin e tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka mëshirë për njerëzit me qëllim që të paralajmërohen dhe të përgatiten për ahiretin e tyre. Luftërat, problemet, sëmundjet e shumta, përhapja e mëkateve dhe gjynaheve, vdekjet e papritura, sprovat e ndryshme, mosrespektimi i prindërve, mosrespektimi i drejtave të fëmijëve, e shumë vepra tjera janë nga shenjat e Ditës së Kiametit. Për këtë arsye, o ju robërit e Allahut, frikojuni Allahut dhe dijeni se dynjaja nuk është e përhershme, mos jetoni në të të qetë e në rehati po veproni dhe angazhohuni. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e porositi ibën Omerin, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe i tha: “O biri, i Omerit” Jeto në dynja sikur të jesh i vetmuar (i huaj) ose si udhëtar dhe llogarite veten tënde prej banorëve të Xhenetit” .

    Shejh Dr. Salih El Feuzan

     Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

     

     

     

  • BUTËSIA, DURIMI DHE TRIMËRIA E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT (ALEJHI SALATU UE SELAM)

    BUTËSIA, DURIMI DHE TRIMËRIA E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT (ALEJHI SALATU UE SELAM)

    O muslimanë, dijeni se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte njeriu me cilësi më të larta, më i miri dhe më i dashuri në mesin e njerëzve dhe Allahu me dërgimin e tij e plotësoi begatinë mbi ne dhe tha: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët” . (Et-Teube: 128)

    Nga butësia dhe durimi i tij na mjafton të dimë nga ajo që ditën e Uhudit ia përgjakën faqen e tij të bekuar dhe ia thyen dhëmbët dhe shokëve të tij kur e panë në këtë gjendje u erdhi shumë keq deri sa i than: O i Dërguar i Allahut, lutju Allahut kundër tyre? Iu përgjigj: “Unë nuk jam dërguar si mallkues, por jam dërguar si mëshirë” . Dhe pastaj tha: “O Zot, udhëzoje popullin tim për arsye se ata nuk e di të vërtetën” .

    O robër të Allahut, shikoni këtë fjalë se çfarë mirësie ka përmbledhur në vetvete dhe shikoni gradat e mirësisë dhe moralit të lartë. Ata e lënduan dhe ai jo vetëm që nuk foli kundër tyre po ua fali dhe i mëshiroi dhe u lut për ta dhe pastaj e paraqiti shkakun e mëshirës dhe butësisë së tij me thënien e tij: “Populli im” , e pastaj kërkoi ndjesë për ta duke i arsyetuar me injorancë dhe tha: “Ata nuk e dinë të vërtetën” .

    Pas një beteje iu drejtua njëri dhe i tha: “Shpërndaji plaçkat me drejtësi, o Muhamed, se me këtë ndarje nuk është i kënaqur Allahu” . Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, iu përgjigj: “Mjerë për ty, nëse unë nuk jam i drejtë kush do të jetë i drejtë. Allahu më bëri besnik në tokë mbi pasuritë e Tij e ti nuk më beson” .

    Disa nga sahabët thanë: “Nuk e kemi parë ndonjëherë të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, t’i bënte ndokujt padrejtësi apo t’i bie ndokujt me dorë, përveç se nëse ishte në luftë në rrugë të Allahut dhe asnjëherë nuk i ka ra ndonjë shërbëtoreje apo gruaje” .

    Ishte njeriu më i butë deri në skaj të mundësive të tij dhe durimtar ndaj asaj që shkaktonte neveritje dhe pakënaqësi dhe i përulur ndaj urdhrave të Allahut deri sa i tha atij: “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit” . (El-A’raf: 199) dhe po ashtu i tha: “Pra, falua fajet dhe mos i qorto! Se, Allahu i do bamirësit” . (El-Maide: 13)

    Sa i përket modestisë, i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, edhe pse kishte pozitë të lartë dhe ishte pejgamber, ishte njeriu më modest dhe nuk ishte mendjemadh. Mjafton ta dimë atë se Allahu ia mundësoi të zgjedhë mes profetësisë dhe mbretërisë apo mes profetësisë dhe të qenurit rob i Allahut, dhe ai e zgjodhi që të jetë pejgamber dhe rob i Allahut.

    Ebu Umameh, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, një ditë doli duke qenë i mbështetur mbi shkop dhe kur e pamë u ngritëm të gjithë dhe na tha: “Mos u ngritni ashtu si ngritën jobesimtarët, të cilët e madhështojnë njëri-tjetrin” .

    Dhe tha: “Unë jam rob dhe ha ashtu siç ha robi dhe ulem ashtu siç ulet robi” .

    Ai, alejhi salatu ue selam, hipte mbi gomar dhe i ulte të tjerët pas tij, i vizitonte të mjerët, ulej me fukarenjtë, u përgjigjej ftesës së skllevërve, ulej me shokët e tij dhe i shoqëronte nëpër ndeje.

    Ai, alejhi salatu ue selam, me një hadith tha: “Mos e teproni me lavdërime ndaj meje siç e tejkaluan të krishterët me birin e Merjemes, pasi unë jam rob i Allahut (siç qe edhe Isai, biri i Merjemes), kështu që më thirrni: robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij” .

    Kur thirrej të hajë bukë nga elbi dhe yndyrë (dhjamë të shkrirë) asnjëherë nuk e refuzonte ftesën. Punonte në shtëpinë e vet, i shërbente familjes, i pastronte rrobat, e milte kafshën, i kryente nevojat e veta dhe ato familjare dhe hante me shërbëtorin.

    Sa i takon moralit të tij, na mjafton thënia e Allahut të Madhëruar: “Ti je me virtyte madhore” . (El-Kalem: 4)

    Sad ibën Hisham, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: E pyeta Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të, se si ka qenë morali i të Dërguarit të Allahut dhe më tha: Ti a nuk lexon Kur’an? I thash: Po. Atëherë më tha: Morali i tij ishte Kur’ani.

    Kuptimi i fjalës së Aishes se morali i tij ishte Kur’ani është se pa marrë parasysh se çka e urdhëronte Kur’ani ai e vepronte dhe çka e ndalonte ai u largonte nga ajo. Nuk ka pasur njeri para tij dhe as nuk do të ketë njeri pas tij i cili është stolisur me cilësitë dhe moralin që e kishte i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam. Iu ligjësua Feja më madhështore që nuk iu kishte ligjësuar askujt para tij. Është i Dërguari dhe Lajmëtari i fundit dhe nuk ka të Dërguar dhe Lajmëtar pas tij. Ishte i turpshëm, fisnik, bujar, mëshirues, trim, i butë dhe posedonte cilësi që nuk mundet të përshkruhen.

    Bera ibën Azib, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte njeriu me fytyrë më të bukur dhe me moral më të mirë.

    Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, asnjëherë askujt nuk i ka ra me dorë, as gruas, as shërbëtorit, as skllavit, përveç se kur luftonte në rrugë të Allahut dhe kur i tejkalonte ndonjëri kufijtë e Allahut atëherë hakmerrej për hir të Allahut.

    Imam Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, në librat e tyre shënojnë një hadith nga Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tha: “Nuk ishte i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i degjeneruar dhe i pamoralshëm dhe gjithmonë na porosiste dhe na thoshte: “Me të mirët nga jush janë ata që janë të mirë me familjet e tyre” .

    Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Unë i kam shërbyer Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, për dhjetë vjet, por kurrë nuk më tha: “Eh! (fjala më të lehtë për të treguar pakënaqësi) dhe as nuk më fajësoi për ndonjë gjë e të më thoshte: “Pse e bëre këtë?” Ose: “Pse nuk e bëre kështu?” .

    Kurse sa i takon drejtësisë, sinqeritetit, besnikërisë dhe fjalorit të tij, i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte njeriu më i drejtë, më i sinqertë, më i ndershëm dhe me fjalor më të pastër.

    Këtë e pohuan të gjithë dhe në mesin e tyre edhe armiqtë e tij. Para shpalljes e thirrnin Besniku (Emin) për arsye të moralit të lartë që ia kishte pas dhuruar Allahu të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kur kurejshitët e ndërtuan Qabenë ranë në mospajtim se cili ta vë Gurin e Zi në vendin e vet dhe propozuan mes tyre që i pari i cili hyn tek ata ai ta vë Gurin në vendin e vet. Në ato momente hyri Muhamedi, alejhi salatu ue selam, dhe të gjithë thanë ky është Muhamedi, ky është Besniku, dhe të gjithë u pajtuam që ky të vendon Gurin në vendin e vet, kurse kjo e tëra ishte para shpalljes.

    Kur u takua Ahnes ibën Shurejk me Ebu Xhehlin ditën e Bedrit dhe të dy ishin armiqtë dhe kundërshtarët e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, e pyeti dhe i tha: O Ebu Xhehl, me ne nuk është askush prezent që ta dëgjojë atë që e flasim, më trego sinqerisht Muhamedi a është rrenacak apo i sinqertë? Ebu Xhehli iu përgjigj: “Pasha Allahun, Muhamedi është i sinqertë dhe asnjëherë në jetën e tij nuk ka gënjyer” .

    Armiqtë e tij i pohuan virtytet e tij dhe nuk kanë mundësi që të mohojnë asnjë nga vlerat e tij.

    Argument rreth drejtësisë dhe modestisë së tij të madhe është se mbretërit i nënshtroheshin, armiqtë e tij shpartalloheshin, kurse ai, alejhi salatu ue selam, çdonjërit ia jepte kahun e vet dhe respektin e vet që e meritonte dhe nuk i bënte padrejtësi, derisa thoshte: “Unë dua që ta takoj Allahun duke mos më kërkuar asnjëri nga jush ndonjë hak për padrejtësinë që ia kam bërë në familje apo pasuri” .

    Sa i takon bujarisë dhe fisnikërisë së tij, përcillen shumë argumente se ishte më bujari dhe fisniku.

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ishte njeriu më bujar e i shtohej edhe më shumë bujaria në muajin Ramazan kur e takonte Xhibrilin. Ai me të në këtë muaj takohej çdo natë dhe para tij mësonte Kur’anin. Prandaj i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ishte më bujar se era e dërguar me mirësi të shumta.

    Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Nuk ka lypur ndonjëri prej Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, diçka vetëm se ia ka dhënë. Njëherë i erdhi një njeri, e Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, i dha një tufë të madhe dhensh sa mund të zinte hapësira mes dy kodrave, e pastaj kthehet te populli i tij dhe iu thotë: O njerëz! Pranojeni Islamin, sepse Muhamedi jep sikur ai i cili nuk i frikohet skamjes. Enesi thotë: Edhe pse njeriu pranonte Islamin për shkaqe të dynjasë, nuk kalonte një kohës së shkurtër dhe Islami bëhej më i dashur për të se sa tërë dynjaja dhe ajo që është në të” .

    Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, çdoherë kur u kërkonte diçka nga ai asnjëherë nuk dinte të thotë: Jo!

    Ndodhte që i Dërguari i Allahut, alejhi salatu e selam, kur iu kërkonte diçka të mos posedojë asgjë në atë moment dhe shkonte merrte borxh dhe ia jepte atij që i kërkonte dhe asnjëherë dorën e askujt nuk e refuzonte.

    Kjo ishte cilësi e njohur e tij edhe para shpalljes derisa Hatixhja, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha se ti i viziton të afërmit, po u ndihmon jetimëve dhe atyre që nuk janë të aftë, u jep të varfërve, je mikpritës dhe po u ndihmon atyre të cilët e mbrojnë të vërtetën.

    Sa i takon trimërisë së tij, ai, alejhi salatu ue selam, ka prezantuar në raste të vështira të njohura, nga të cilat raste kanë ikur trimat e mëdhenj më shumë se një herë. Ndërsa ai ka qëndruar aty, nuk është kthyer, ka mbetur në vendin e tij, ka ndenjur përballë tyre, nuk ka kthyer shpinën, as nuk është dridhur. Ai nuk ka ikur asnjëherë. Ai (Allahu) e ka mbrojtur nga kjo.

    Ali ibën Ebi Talibi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcillet se ka thënë: Kur lufta vështirësohej të skuqeshin sytë mbroheshim me Pejgamberin, alejhi salatu selam, asnjëri nuk ishte me afër armikut se ai! Po të më shihnit ditën e Bedrit se si neve strehoheshim me Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, ai ishte më së afërmi me armikun. Ai atë ditë ishte njeriu më i vështirë në luftë.
    Përcillet nga Ebi Is’hak Sebiji se ka thënë: Një njeri e pyeti Bera ibën Azib, Allahu qoftë i kënaqur me ta, a ka ikur nga Pejgamberi, alejhi salatu ue selam? Berau tha: Mirëpo Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, nuk ka ikur, fisi Heuazin atë ditë ishin gjuajtës, ne nuk i sulmuam ata, ata u ndalën, pastaj shkuan të marrin plaçkën, ata na pritën me shigjeta. E kam parë Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, mbi mushkën e tij të bardhë, Ebu Sufjan ibën Harithi e kishte kapur prej litari, ai thoshte: Unë jam Pejgamber nuk jam gënjeshtar, unë jam biri i Abdul Mutalibit.

    Përcillet nga Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ai ka thënë për trimërinë e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, në ditën e Hunejnit: Kur u takuan muslimanët me mushrikët, muslimanët filluan të ikin, Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, filloi të nxisë mushkën e tij kah mushrikët. Unë e kapja prej litari që ta ndali nga dëshira që të mos shpejtonte.

    Imam Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, nga Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka qenë njeriu më i mirë, ai ishte më fisniku, ai ishte më trimi nga njerëzit! Një natë banorët e Medinës u trishtuan nga një zë. Disa njerëz u nisën kah ana e zërit, ata e takuan Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, ai i kishte parakaluar tek vendi i zërit. Ai ishte mbi një kalë të Ebu Talhasë, pa samarë në qafën e tij, kishte varur shpatën, ai tha: “Nuk jeni kujdesur, nuk jeni kujdesur” .

    Këto ishin disa nga virtytet e shtrenjta dhe cilësitë e larta dhe të ndershme me të cilat e zbukuroi Allahu i Madhëruar të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam.

    Dr. Ahmed Ferid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

  • TË MBROJTURIT E SUNETIT NGA ATA QË E FYEJNË

    TË MBROJTURIT E SUNETIT NGA ATA QË E FYEJNË

    Falënderimi i takon vetëm se Allahut i Cili na mundësoi që ta shijojmë ëmbëlsinë e imanit. Atë e falënderoj dhe lavdëroj dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkoj. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, birin e Abdullahut dhe rob të Allahut.

    O muslimanë, nga esenca e besimtarëve dhe dijetarëve të hadithit dhe sunetit, mbrojtësve të fesë dhe bartësit e saj, të cilët e morën rrugën e njerëzve të mirë dhe i pasuan gjurmët e të parëve tanë është, të madhëruarit e Kur’anit dhe sunetit. Kur’ani është pajisja e tyre, suneti argumenti i tyre, kurse i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, shëmbëlltyra e tyre.

    Ata ua mësojnë njerëzve teuhidin dhe akiden, e ndihmojnë sheriatin, i luftojnë risitë e përhapura, i urrejnë fraksionet, nuk përkrahin njeri apo parti apo fjalë, të cilët miqësohen dhe armiqësohen, me ata që nuk veprojnë sipas Kur’anit dhe Sunetit. Ata nuk kanë të pasuar përveç se të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. E njohin jetën e tij, i madhërojnë thëniet e tij, atyre u besojnë thellësisht dhe u binden tërësisht, atyre u nënshtrohen dhe nga ta asnjëherë ato thënie nuk refuzohen.

    Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Bie poshtë çdo gjë që e kundërshton urdhrin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe nuk i barazohet atij as një mendim e analogji dhe Allahu e ndërpreu justifikimin nëpërmjet thënies së tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të”.

    Omer ibën Abdulazizi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Nuk barazohet asnjë mendim me traditën që e ligjësoi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të”.

    Sunetin nuk e refuzon vetëm se i hallakaturi, dhe nuk e kundërshton vetëm se i sëmuri, dhe nuk e fyen vetëm se fatkeqi. Ai që nuk i pranon hadithet e vërteta, ku për to nuk ka divergjencë në mesin e dijetarëve sa i përket vërtetësisë së tyre, vetëm se e ka kundërshtuar Ehli Sunetin dhe të parët e Umetit, dhe është fundosur në errësirat e të devijuarve dhe të humburve.

    Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush e refuzon hadithin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut, është afër shkatërrimit”.

    Ebu Tahir, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Çdo njëri që e refuzon hadithin e vërtetë nga i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe nuk e pranon si të tillë, vetëm se ka devijuar dhe është humbur, ngase ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk flet nga hamendja”.

    Imam el Barbaharij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kur e sheh se një njeri fyen në sunet apo e refuzon atë, apo i le hadithet e vërteta dhe do të merr të tjera, atëherë akuzoje në fenë e tij dhe mos dysho se ai është shpikës në fe dhe pasues i epsheve”.

    Ibën Vezir, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Përgënjeshtrimi i hadithit të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me vetëdije të plotë dhe duke e ditur vërtetësinë e tij, është kufër i qartë”.

    O muslimanë, atij që i prishet besimi dhe morali e refuzon Sunetin, kurse e përgënjeshtron atë kur nuk përputhet me mendjen e tij të sëmurë dhe me mendimin e tij të qortuar.

    Muadh ibën Muadh përcjell se e ka dëgjuar Amru ibën Ubejd, i cili është një nga mu’etezilitë e mëdhenj, se e ka cekur një hadith të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, sa i përket kaderit (përcaktimit të Allahut), dhe ka thënë: Po ta dëgjoja Eameshin se e thotë këtë hadith do ta përgënjeshtroja dhe po ta dëgjoja të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, do ta refuzoja dhe po ta dëgjoja se Allahu e thotë këtë, do i thosha: nuk e ke marrë besën nga ne për këtë.

    Allahu na ruajttë, Allahu na ruajttë, çfarë fjalë të fëlliqura!!

    O muslimanë, nuk ka shpërblim tjetër për atë që fyen dhe shpifën mbi fjalën e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, përveç se dënimit të tij dhe të penguarit e tij nga ato fjalë, me qëllim të mbrojtjes së sheriatit dhe sunetit dhe mbrojtjes së vlerës dhe pozitës së Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

    Ebu Muavije, Allahu e mëshiroftë, i foli Harun Reshidit, Allahu e mëshiroftë, për hadithin: “Iu argumentua Musai Ademit, alejhi selam”. Atëherë një njeri tha: Ku e ka takuar Musai, alejhi selam, Ademin, alejhi selam?! Harun Reshidi u zemërua tepër dhe tha: për ty vetëm se shkëmb dhe shpatë (qëllimi i tij ishte shkëmb a trung për t’ia prerë kokën me shpatë), ti je hipokrit, e fyen hadithin. Ebu Muavije nisi ta qetësonte dhe vijoi kështu për një kohë të gjatë, duke i thënë: O prijës i besimtarëve, ishte një gjest i pakontrolluar nga ana e tij. Kjo gjë vazhdoi, derisa Harun Reshidi u qetësua dhe njeriu u pendua nga fjalët e tij.

    O muslimanë, kundërshtarëve të Sunetit kur u ballafaqohet e kota e tyre me hadithet e vërteta, atëherë fillojnë të kundërshtojnë dhe të debatojnë dhe të përdorin komentin e tyre sipas mendjes së tyre.

    Nuk ka armiqësi më të madhe për Sunetin dhe për atë që e pasojnë, se sa nga ata që gënjeshtrën e kanë marrë për fe (qëllimi është për shijat), dhe të cilët i nxjerrin nga feja njerëzit më të mirë pas pejgamberëve, shokët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i nxjerrin nga feja ata që i donë dhe janë të kënaqur me ta, dhe e bëjnë hallall gjakun e muslimanëve dhe pasurinë dhe nderin e tyre, sipas transmetimeve dhe përrallave që i kanë shpikur dhe trilluar nga vetvetja, duke pretenduar se ato janë nga krijesa më e mirë në tokë, Muhamedin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

    Ata e pretenduan bartjen e flamurit të luftës kundër armikut, a në fakt ata janë mbrojtësit e tyre dhe krahu i tyre. Kush sulmon armikun me britma dhe klithme, kurse muslimanët me aeroplanë dhe me artileri të rëndë dhe me armë zjarri, nuk mund ta luftojë armikun dhe as të mbrohet nga sulmet, madje ai është ndihmësi i armikut kundër Islamit dhe muslimanëve.

    S’ka mundësi të shpëtojnë mashtruesit e fëlliqur që ta ndryshojnë historinë e ruajtur apo ta paraqesin fytyrën e fëlliqur të tyre me pamje tjetër më të mirë, kur besimi i tyre e lejon vrasjen e fëmijëve dhe grave dhe pleqve, dhe e lejon shkatërrimin e shtëpive dhe xhamive dhe qyteteve të tyre.

    Allahut i takon çështja para dhe pas saj: ”Sikur të donte Allahu, ata nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin, por Allahu bën si të dojë Vetë”. (El-Bekare: 253); ”Sikur të donte Allahu, do t’i shkatërronte ata, por Ai dëshiron t’ju sprovojë juve me njëri-tjetrin. Ai nuk ua humb veprat atyre që vdesin në rrugën e Allahut. Ai do t’i udhëzojë ata, do t’ua përmirësojë gjendjen dhe do t’i shpjerë në Xhenet, të cilin ua ka bërë të njohur më parë”. (Muhamed: 4-6)

    Dëshmor i lumtur është ai që vdes duke e ndihmuar dhe përkrahur teuhidin, kurse fatkeq dhe i mallkuar është ai që vdes duke e mbrojtur dhe përkrahur shirkun dhe të kotën: “Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm”. (El-Haxh: 40)

    SALAH IBËN MUHAMED EL BUDEJRI

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • LIDHJA FAREFISNORE

    LIDHJA FAREFISNORE

    Farefisnia është njëra prej nënshtrimeve më me vlerë dhe më me pozitë, më e bekuar dhe më së shumti që bën dobi në këtë botë dhe në ahiret.

    Farefis i një njeriu konsiderohen të afërmit e tij prej gjaku, si baba, nëna, vëllai, motra, djali, vajza dhe çdo person që ka lidhje gjaku me to. Familja e gruas për burrin e saj s’janë farefis, e as familja e burrit për gruan e tij s’janë farefis, për shkak se mes tyre s’ka lidhje gjaku, por mes tyre ekziston lidhje krushqie. Thotë Allahu, azze ue xhel: “Edhe ata që u bënë besimtarë më vonë, që mërguan dhe luftuan bashkë me ju, janë vëllezërit tuaj; ndonëse, sipas Librit të Allahut, besimtarët që kanë lidhje farefisnore, janë më të afërt për njëri-tjetrin (në ndarjen e trashëgimisë). Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë (El-Enfal: 75)

    Allahu, azze ue xhel, na porositi respektimin e farefisnisë, dhe e bëri këtë porosi shumë të afërt me porosinë e devotshmërisë, thotë Allahu, azze ue xhel: “Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju”. (En-Nisa: 1)

    Ibën Abasi thotë se komenti i këtij ajeti është: “Frikësojuni Allahut me respektimin e urdhrave të Tij dhe largimin prej mëkateve që i ka ndaluar Ai, mos i shkëputni lidhjet farefisnore, por respektoni, vizitoni dhe silluni mirë me ato.”

    Allahu, azze ue xhel, në ajetin: “Jepja të drejtën e tij të afërmit, edhe të varfrit, edhe udhëtarit! Kjo është më e mirë për ata që e duan kënaqësinë e Allahut. Pikërisht ata do të jenë të fituarit” (Er-Rum: 38), na bënë të qartë se njeriu ndaj farefisnisë ka obligime që detyrohet t’i kryej, qofshin materiale apo morale.

    Respektimi i lidhjes farefisnore ishte prej gjërave të para që thirri Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, kur iu shpall profetësia. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre tregimin e Ebu Sufjanit me Hiraklin (Mbretin e romakëve në atë kohë), se i patë thënë Herakliu Ebu Sufjanit: “Në çka ju urdhëron Muhamedi?” Përgjigjja e Ebu Sufjanit ishte: “Ai na urdhëron që ta adhurojmë vetëm Allahun dhe mos t’i bëjmë shok Atij, t’i lëmë besimet e mëhershme dhe atë çka e thonë baballarët tonë, na urdhëron në faljen e namazit dhe na urdhëron në sinqeritet, virtytshmëri dhe respektimin e farefisnisë.” (Buhari 7, Muslimi 1773)

    Respektimi i lidhjes farefisnore është një prej shkaqeve që ta lehtëson furnizimin dhe ta zgjat jetën në dynja, kurse në ahiret është shkak që të fut në Xhenet dhe të mbron prej zjarrit të Xhehenemit. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre, prej hadithit të Ebu Ejub el Ensarijut, radijallahu anhu, se Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, gjatë udhëtimit iu paraqit një banor i shkretëtirës dhe e pyeti. “O i Dërguar i Allahut, më trego se cilat vepra më afrojnë Xhenetin e Allahut dhe cilat vepra më largojnë prej Xhehenemit të Allahut?” – Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, u ndal, i shikoi shokët e tij, e pastaj tha: “Vetëm se u mbarësua, apo vetëm se u udhëzua.” – Pastaj tha: “Si the.” – Banori i shkretëtirës e përsëriti edhe një herë pyetjen e tij. – Pastaj Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Ta adhurosh Allahun dhe mos t’i bësh shok Atij, ta falësh namazin dhe ta japësh zeqatin, ta respektosh farefisin” (Buhari 1397, Muslimi 13)

    Me një transmetim tjetër: “Si ta praktikojë atë çka u urdhërua, do të hyjë në Xhenet.” (Muslimi 13)

    Në një hadith tjetër Enes ibën Malik, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai njeri që dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë marrëdhëniet farefisnore.” (Buhariu 2067, Muslimi 2557)

    Mosrespektimi i farefisit dhe shkëputja prej tyre janë prej mëkateve të mëdha, që Allahu e paralajmëroi dhe i premtoi vepruesit të tyre se do ta ndëshkon me dënime të ndryshme në këtë botë dhe ahiret. Thotë Allahu, azze ue xhel: “Sa për ata që shkelin besëlidhjen me Allahun, pasi janë zotuar për atë, e që këpusin lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të ruhen dhe bëjnë çrregullime në Tokë – mbi ta rëndon mallkimi dhe përfundimi i keq!” (Er-Ra’d: 25)

    Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre na përcjellin hadithin e Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pasi që Allahu i krijoi të gjitha krijesat, lidhja farefisnore tha: “Kjo është pozita që kërkon strehim prej teje nga këputja e lidhjes farefisnore.” Allahu, azze ue xhel, tha:” Po, a nuk dëshiron që të mbaj lidhje me atë që mban lidhje me ty dhe t’i ndërpres më atë që i ndërpret me ty?” Ajo tha: “Po, s’i jo o Zoti im.” Tha Allahu, azze ue xhel: “Ajo është për ty.” Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Lexoni nëse dëshironi: “A pritet prej jush (hipokritëve) që në nëse merrni sundimin (ose zmbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet e akraballëkut?” (Muhamed: 22) (Buhariu 5987, Muslimi 2554)

    Transmeton imam Tirmidhiu në Sunenin e tij prej hadithit të Ebi Bekrës, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: S’ka mëkat që më së shumti e meriton përshpejtimin e dënimit të Allahut, duke mos e anashkaluar atë në ahiret, si mëkati i bërjes padrejtësi dhe i shkëputjes së lidhjes farefisnore.” (Tirmidhiu 2511)

    Ai që i ndërpret lidhjet familjare, kanoset me mos hyrjen e tij në Xhenet. Transmeton Xhubejr ibën Mutim, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai i cili këput lidhjet farefisnore.” (Buhariu 5984, Muslimi 2556)

    Respektues i lidhjes farefisnore konsiderohet ai person i cili e respekton dhe e viziton farefisin edhe ata kur shkëputën prej tij dhe nuk e respektojnë. Përcillet prej Abdullah ibën Amru ibën el As, radijallahu anhu, se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thanë: “Nuk mban lidhjet farefisnore ai që kthen (vizitat), por është ai që kur i ndërpritet farefisnia i rivendos lidhjet me ta.” (Buhariu 5991)

    Transmeton imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në Sahihin e tij prej Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se një njeri erdhi te Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, dhe i tha atij: “O i Dërguar i Allahut! Unë kam disa të afërm me të cilët mbaj lidhje farefisnore, kurse ata nuk mbajnë me mua, u bëj mirë, kurse atë më bëjnë keq dhe sillem butë me ta, kurse ata sillen me arrogancë ndaj meje. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Nëse vërtet është ashtu s’i thua ti, atëherë është njësoj sikur t’i ushqesh ata me hi të nxehtë, dhe vazhdimisht do të jetë me ty një ndihmës i Allahut kundër tyre, përderisa je në këtë gjendje.” (Muslimi 2558)

    Komentuesit e këtij hadithi thonë: “Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tregon dënimin e tyre se sa është i dhimbshëm, dhe i përngjason me vuajtjet e ngrënësit të hirit të nxehtë. Kjo e tëra vjen si rezultat i shkëputjes së lidhjes familjare dhe arroganca e tyre ndaj atij që i viziton.”

    Respektimi i lidhjes farefisnore arrihet me veprimin e mirësisë ndaj tyre, edhe atë me çka mundet njeriu. Thotë Ebi Xhemreh, Allahu e mëshiroftë: “Farefisnia respektohet me pasuri, me ndihmë kur kanë nevojë, me buzëqeshje, me lutje për to, etj.”

    Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Obligohet respektimi i lidhjes farefisnore me dashuri, me këshilla mes vete, me drejtësi, me dhënien e të drejtave obliguese dhe atyre të pëlqyera, pastaj me shpenzim për të afërmin dhe me mos përgojimin e të metave të tyre, etj.

    Kuptimi i përgjithshëm i lidhjes farefisnore është respektimi i tyre sa mundet në të mirë dhe largimin e sherrit prej tyre sa ka mundësi. Pra, çdo send varet prej mundësisë dhe prej fuqisë së njeriut, pastaj prej gjendjes dhe prej pozitës së tij dhe prej marrëdhënieve familjare dhe prej asaj se sa i lehtësohet atij kjo gjë. Thotë Allahu, azze ue xhel: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka”. (El-Bekare: 286)”.

    Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Pëlqehet t’i jepet përparësi nënës në dëgjueshmëri dhe mirësi, e pastaj babës, pastaj fëmijëve, pastaj gjyshërve dhe gjysheve, pastaj vëllezërve dhe motrave, pastaj të gjithë mahremeve prej familjes, si xhaxhallarëve, dajallarëve, hallave, tezeve, etj. Pra, i jepet përparësi më të afërmit, e pastaj tjetrit më të afër dhe kështu me rrallë.”

    Hakimi në Mustredekin e tij na transmeton hadithin e Ebi Remtheh, radijallahu anhu, i cili thotë se e ka dëgjuar Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, duke thënë: “Nëna jote, pastaj babai yt, pastaj motra dhe vëllai, pastaj të tjerët me radhë me nivel më të ulët.”

    Dhënia e lëmoshës në farefis, e dyfishon shpërblimin e dhënësit të saj. Transmeton Tirmidhiu prej Sulejman ibën Amir, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Lëmosha për fukaranë është vetëm lëmoshë, ndërsa për farefisin lëmoshë dhe lidhje farefisnore.” (Tirmidhiu 658)

    Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Mejmunës bint el Harith, radijallahu anha, e cila e liroi një robëreshë, pa marrë leje prej Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, dhe më vonë i tha Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem,: “O i Dërguar i Allahut, a vërejte se e lirova robëreshën time? Tha: “A e bëre?” – Ajo tha: “Po.” – Atëherë i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, i tha: “Po t’ia kishe dhuruar tezeve tua, do të kishe më shumë shpërblime”. (Buhari 2592, Muslimi 999)

    Dr. Emin ibën Abdullah esh Shekaui   

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline