Category: Pyetje & Përgjëgjje

  • A lejohet dollia në Islam?

    A lejohet dollia në Islam?

    Pyetje: Meqë i kam fëmijët e vegjël, ata mesa duket diku kanë parë që kanë ngritur dolli (ngritur gotat, rahur njëra me tjetrën). Nuk di ndonjë argument nga sheriati për ndalesën e ngritjes së dollisë, por meqë dikur kemi dëgjuar nga dijetarët se është haram dhe e kemi pranuar si të tillë, prandaj edhe jam munduar që fëmijët mos i lejoj të imitojnë të pafetë. Por, me ç’argument mund ta justifikoj këtë ndalim të dollisë? Apo nuk prish punë ngritja e saj?

    Përgjigja: Një veprim i tillë është haram, sepse është zakon i jobesimtarëve. Profeti – salallahu alejhi ue selem – na ka ndaluar që t’i përngjasim atyre; ai thotë:
    “Kush i përngjan një populli, ai është prej tyre.”

    Ashtu siç na ka paralajmëruar që të mos i ndjekim ata, ndonëse me keqardhje po i ndjekim hap pas hapi veprat e tyre; edhe po të futen në vrimën e hardhucës, do t’i pasonim ata…
    Realitet shumë i hidhur!

    Allahu na mundësoftë që të jemi krenar me fenë tonë dhe zbatues të saj!

     

    Përgjigje nga Adelina Kuçana

  • A lejohet ta teprojmë së qari kur goditemi nga sprovat?

    A lejohet ta teprojmë së qari kur goditemi nga sprovat?

    Pyetja:

    Allahu një çifti nuk i ka dhuruar fëmijë, por ata pajtohen me caktimin e Allahut dhe asnjëherë nuk hidhërohen me këtë caktim, por ndodh që ndonjëherë nga dëshira për të pasur një fëmijë mund të qajnë. A konsiderohet kjo se ata mund të rrëzohen në këtë sprovë?

    ***

    Përgjigjja:

    Allahu i Lartësuar thotë:

    “Vetëm i Allahut është pushteti i qiejve e i tokës; Ai krijon çka të dojë; Ai i fal vetëm femra atij që do; e i fal vetëm meshkuj atij që do. Ose u fal çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril); Ai është i Dijshëm, i Fuqishëm.“ (Shura: 49-50)

    Pa dyshim se të pasurit fëmijë konsiderohet njëra prej begative më madhështore që Allahu i Madhërishëm u dhuron robërve të Vet. Në rastin kur i Lartësuari i privon robërit e Vet prej disa begatish dhe dhuntish të Tij, kjo nuk do të thotë se Ai është i hidhëruar me ta apo nuk i do, por me këtë Ai sprovon sinqeritetin dhe imanin e tyre. Allahu xh.sh. thotë:

    “E njeriu, kur e sprovon Zoti i tij, e nderon dhe e begaton, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar!” Por, kur për ta sprovuar ia pakëson furnizimin (e varfëron), ai thotë: “Zoti im më ka nënçmuar!” Jo, nuk është ashtu! Por (punoni edhe më zi) ju nuk përfillnit bonjakun.” (Fexhr: 15-17)

    Në rastet kur Allahu e privon besimtarin prej ndonjë dhuntie, ai nuk duhet të shfaqë hidhërim dhe pakënaqësi ndaj caktimit të Allahut të Lartësuar, por duhet të shprehë kënaqësi dhe pajtim me caktimin e Tij, ngase sa më i fortë të jetë imani i besimtarit aq edhe më të mëdha janë sprovat e Allahut të Lartësuar për të.

    Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shpërblimet e mëdha vijnë me sprovat e mëdha. Allahu kur e do dikë e sprovon, e kush është i kënaqur (me sprovën), atij i takon kënaqësia (e Allahut), ndërsa kush hidhërohet, atij i takon hidhërimi.” [1]

    Pra, e tërë jeta e besimtarit është sprovë, si begatia ashtu edhe fatkeqësia. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Është e çuditshme puna e besimtarit, gjithë jeta e tij është hajr (mirësi). Nëse i vjen një e mirë, ai falënderon Zotin dhe merr shpërblim për këtë gjë. Nëse i bie një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe përsëri shpërblehet për këtë gjë, e kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin.” [2]

    Shprehja e hidhërimit ndaj caktimit të Allahut shfaqet në disa forma:

    1. Hidhërim me zemër, duke mbjellë në zemër urrejtje ndaj Allahut xh.sh. për shkak të ndonjë gjëje të hidhur. Kjo është e ndaluar, madje konsiderohet një hap më afër mosbesimit. Allahu i Lartësuar thotë:

    “Ka nga njerëzit që adhuron Allahun me mëdyshje (luhatshëm), nëse e godet ndonjë e mirë, ai qetësohet me të, po nëse e godet ndonjë e pakëndshme, ai kthehet në fytyrën e vet të vërtetë (të mëparshme), ai i ka humbur këtë dhe jetën tjetër e ky është ai dështimi i qartë.” (Haxhxh: 11)

    2. Hidhërim me gjuhë, me sharje, mallkim e të ngjashme me këto. Edhe kjo është e ndaluar.

    3. Hidhërim me gjymtyrë, me shkuljen e flokëve, me goditjen e trupit, me shqyerjen e rrobave, të gjitha këto janë të ndaluara.

    Ndërsa dalja e lotit në momente mërzie është e lejuar, ngase loti simbolizon mëshirën. Usame bin Zejdi transmeton se Pejgamberit ﷺ me rastin e vdekjes së një fëmije të njërës nga vajzat e tij i kanë dalë lotët dhe ka qarë. Sead bin Ubadeh i ka thënë: “Çka është kjo, o i Dërguari i Allahut?” Ka thënë: “Kjo është mëshira që ka lëshuar Allahu në zemrat e robërve të Tij. Prandaj Allahu do t‘i mëshirojë robërit e Tij që janë të mëshirshëm.” [3]

    Shpërblimi i sprovës nuk humbet nëse sytë lotojnë, por është me rëndësi që zemra të jetë e kënaqur me caktimin e Allahut të Madhëruar dhe të mos hidhërohet ndaj Tij apo ta kundërshtojë kaderin e Tij.

    Allahu e di më së miri.

    Dr. Shefqet Krasniqi

    ————————————————————

    [1] Tirmidhiu, nr. 2396; Ibën Maxhe, nr. 4031. Tirmidhiu ka thënë: “Hasen garib në këtë formulim”, ndërsa Albani e ka konsideruar hasen-të mirë.

    [2] Muslimi, nr. (2999) 64.

    [3] Buhariu, nr. 7377; Muslimi, nr. (923) 11.

  • A lejohet të themi jeta është gënjeshtër?

    A lejohet të themi jeta është gënjeshtër?

    Pyetja:

    A lejohet të themi jeta është gënjeshtër?

    Përgjigja:
    Falënderimi i takon Allahut.

    Gënjeshtra do të thotë të thuash diçka që është në kundërshtim me realitetin, por jeta është diçka e parë dhe e njohur, pra si mund të përshkruhet si gënjeshtër? Nëse ai që e thotë këtë do të thoshte se jeta është kalimtare dhe është kënaqësi e mashtrimit, dhe ajo është e mbushur me telashe dhe probleme, dhe se kënaqësitë e saj janë të shkurtra dhe se njeriu e jeton jetën me shpresë dhe dëshira të mëdha, por atëherë ai mund të humbasin njerëzit më të dashur në jetën e tij, si gruan, fëmijën ose shokun e tij, e kështu me radhë, atëherë kjo është e vërtetë.

    Jeta është përshkruar në mënyrë të ngjashme në Librin e Allahut, siç thotë Ai, qoftë i Lartësuar: “E çfarë është jeta e kësaj bote përveç kënaqësisë së mashtrimit?” (Ali Imran185) Transmetohet se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Profeti ﷺ ka thënë: “Fjala më e vërtetë e thënë ndonjëherë nga një poet është fjala e Labidit: Çdo gjë përveç Allahut është më kot.” [1] Ose ai mund të ketë dashur në këtë mënyrë të shprehë pakënaqësinë dhe zhgënjimin me jetën dhe kundërshtimin ndaj asaj që ishte dekretuar për të në të.

    Kjo është një çështje serioze, sepse jeta nuk ka kontroll mbi asgjë, kështu që pakënaqësia dhe pakënaqësia e tij, në të vërtetë, përbëjnë një kundërshtim ndaj Zotit të tij. Transmetohet se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu qoftë i lavdëruar dhe lartësuar, thotë: “I biri i Ademit më ofendon Mua. Ai e shan kohën (ed-dahr), por unë jam koha, e ndërroj natën me ditën.” [2] Sipas një transmetimi tjetër: “Mos e mallkoni kohën (ed-dahr), sepse Allahu është koha.” [3]

    Bazuar në këtë, duhet të shikoni se çfarë donte të thoshte ky person kur tha ato fjalë. Sidoqoftë, sido që të jetë, jeta nuk është një gënjeshtër në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse çdo gjë që mund të shihet dhe përjetohet nuk mund të jetë gënjeshtër. Pra, një gënjeshtër ka të bëjë me atë që tregoni për lajmet, ndërsa jeta është diçka e prekshme dhe e vërtetë. Dhe Allahu e di më së miri.

    islamqa.info

    —————————–

    [1] Buhariu (3841) dhe Muslimi (2256)

    [2] Buhariu (4826) dhe Muslimi (2246)

    [3] Muslimi

  • A bie ndesh marrja e ilaçeve me mbështetjen në Allahun [tewekullin]?

    A bie ndesh marrja e ilaçeve me mbështetjen në Allahun [tewekullin]?

    Pyetje: A e kundërshton marrja e ilaçeve mbështetjen në Allahun [tewekkul]?

    Përgjigje: Ibn el-Kajjim, në *Zaad el-Me’ad* [4/15], ka thënë:
    “Në hadithet e vërteta, ka një urdhër për të përdorur ilaçe, dhe kjo nuk kundërshton idenë e mbështetjes në Allahun, mu siç largimi i urisë, etjes, nxehtësisë dhe të ftohtit, nëpërmjet të kundërtave të tyre, nuk e kundërshton atë.
    Madje, teuhidi i vërtetë s’mund të arrihet, përveç nëse personi përkujdeset për mënyrat/mjetet të cilat Allahu i ka krijuar dhe të cilat çojnë në ato përfundime, si në kuptimin e paracaktimit hyjnor, ashtu edhe në atë sheriatik.
    Lënia pas dore e mënyrave/mjeteve e minon thelbin e mbështetjes në Allahun dhe minon urdhrin e urtësinë hyjnore, sepse ai që i lë pas dore këto, mendon që kjo është shenjë e mbështetjes më të fortë në Allahun.
    Mirëpo, lënia pas dore e tyre është shenjë e paaftësisë, e cila kundërshton mbështetjen në Allahun, thelbi i së cilës është varësia e zemrës në Allahun për të arritur atë që i bën dobi një personi, si në angazhimin e tij fetar, ashtu edhe në çështjet e kësaj bote, dhe që do ta largonte atë që do ta dëmtonte atë në angazhimin fetar dhe në çështjet e kësaj bote.
    Krahas kësaj varësie, personi duhet të ndërmarrë masa. Përndryshe, do të injorohej urtësia dhe urdhri i Allahut. Ne s’duhet ta konsiderojmë paaftësinë si mbështetje në Allahun, apo mbështetjen në Allahun si paaftësi”.

  • A është gjynah nëse e mallkon dikë për shpifjet që të janë bërë?

    A është gjynah nëse e mallkon dikë për shpifjet që të janë bërë?

    Pyetje: Desha t’ju bëj një pyetje lidhur me shpifjet ndaj njeriut të pastër. A është gjynah nëse e mallkon dikë në sexhde, për fjalët të cilat të janë ngjitur e nuk janë aspak të vërteta, janë të kundërta me realitetin që ekziston. Vuajtja që më është shkaktuar prej fjalëve të ndyra, të ngjitura më qon deri në mallkim gjatë sexhdes ndaj atyre njerëzve të pandërgjegjshëm. Mirëpo duke pasur parasysh nganjëherë se edhe pejgamerët e ndryshëm kanë pasur sulme të tilla me fjalë, ndalem dhe i lutem të madhit Allah që Ai t’i shpërblejë ata të pafe për fjalët e thëna pa fakte dhe argumente.

    Andaj po kërkoj nga ana juaj një këshillë, një sugjerim se si duhet vepruar në këto momente.  Mundohem të bëj sabër, bie shahadet shumë shpesh duke u munduar ta largoj zërin e pëshpëritjes të së keqes në vesh.
    Selam alejkum ve rahmetullah!

    Përgjigja;

    Pa dyshim se shpifjet ndaj njerëzve të pafajshëm janë të ndaluara dhe janë të vështira për njerëzit për të cilët shpifet. Allahu thotë: “Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe.” (Nur, 15)

    Mirëpo ajo që duhet përmendur në këtë rast është fakti i pamohueshëm që myslimani duhet të ketë sjellje islame edhe atëherë kur i bëhet padrejtësi, pra duhet ta demonstrojë edukatën islame në fatkeqësi e grindje, ashtu siç e demonstron në situata të lira e të pangarkuara.
    Allahu thotë në Kur’an: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Ali Imran, 133 dhe 134)

    Pra, falja dhe toleranca janë morali që kërkohet nga ju ta demonstroni. Të luteni për ta që Allahu t’i udhëzojë në Rrugën e Drejtë, t’i thirrni për besim dhe vepra të mira është më mirë se sa t’i mallkoni. Nëse ata nuk pendohen për veprimin e tyre derisa ju jeni e pastër dhe shpifjet ndaj jush nuk qëndrojnë, mos keni dert, Allahu ka për t’ua dhënë dënimin e merituar atyre që pa dije ndjellin akuza të pavërteta. Kur u akuzua Aisheja, nëna e besimtarëve, për imoralitet, duke ia mveshur, Allahu tha për atë gjest të tyre: “Me të vërtetë, ata që shpifën, janë një skotë prej jush. Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju. Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që ka bërë, kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një dënim i madh.” (Nur, 11)

    Allahu po ashtu thotë: “Vërtet, ata që përgojojnë gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në tjetrën; për ata ka dënim të madh. Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë, Allahu do t’ju shpaguajë dënimin e merituar dhe ata do ta marrin vesh se Allahu është e Vërteta e qartë.” (Nur, 23 – 25)

    Allahu e di më së miri!

    Hoxhë Muhamed Dermaku

  • A lejohet t’iu shesim pije alkoolike jomuslimanëve?

    A lejohet t’iu shesim pije alkoolike jomuslimanëve?

    Pyertja:

    Jam një motër, një nënë që jetoj jashtë shtetit, në Austri. Kemi një lokal-restorant, mirëpo shesim edhe pije alkoolike për shkak se vendi ku jetojmë është i tillë. A është haram?

    Përgjigja:

    Sikur që nuk lejohet konsumimi i pijeve alkoolike, po ashtu nuk lejohet edhe shitja e tyre, qoftë si biznes i veçantë me pije alkoolike apo edhe si pjesë e ndonjë biznesi që përmban edhe pije alkoolike, siç është rasti i juaj. Pijet alkoolike jo vetëm që nuk guxojmë t’ia shesim muslimanëve, por kjo gjë është e ndaluar edhe atëherë kur ia shesim jomuslimanëve. Pra thjesht, nuk lejohet të fitohet nga pijet alkoolike në asnjë formë, pasi pijet alkoolike në Sheriat konsiderohen mall i ndytë dhe si i tillë nuk është i vlefshëm për të nxjerrë përfitime nga mallra të tilla.

    Nga ana tjetër, edhe vendi ku ju jetoni nuk imponon në asnjë mënyrë që të mbani medoemos pije alkoolike në restorantin tuaj, por kjo është çështje që i kthehet bindjes suaj. Kudo në Austri ka restorante e lokale të ushqimeve që fare nuk posedojnë pije alkoolike (si p.sh. “Lami”) dhe njihen për shitje të mirë, që do të thotë se mungesa e pijeve alkoolike në ato lokale e restorante nuk shkakton mospunën e as mbylljen e tyre.

    Allahu e di më së miri!

    Muhamed Dërmaku

  • Dispozita sheriatike mbi abortimin e fetusit?!

    Dispozita sheriatike mbi abortimin e fetusit?!

    Sa i përket dispozitave që ndërlidhen me abortimin e fetusit, ato ndryshojnë në varësi të kohës së abortit në secilën nga fazat e tij, dhe atë duke ndjekur fazat nga argumentet në vijim.

    Thotë Allahu i Madhëruar:

    “…e mandej, pikën e farës e kemi bërë gjak (të droçkuar), e pastaj e kemi bërë copëz mishi; mandej, atë copëz mishi e kemi shndërruar në eshtra, e eshtrat i kemi veshur me mish dhe pastaj kemi krijuar krijesë tjetër. Qoftë lartësuar Perëndia, krijuesi më i përsosur!” (Muminun: 14)

    “…dinie se Na ju kemi krijuar juve prej dheut (Ademin), pastaj prej pikës së farës (spermës) pastaj prej droçkave të gjakut, pastaj prej (copëzës) mishit (embrionit) me formë të plotë ose jo të plotë, për t’ju treguar juve (fuqinë Tonë)…” (Haxh:5)

    Po ashtu transmetohet nga Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të se ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ që është më i vërteti, vërtetësia e të cilit është dëshmuar, na thoshte:“Çdo njeri formohet në mitrën e nënës së vet (duke qëndruar) dyzet ditë si një pikë uji, pastaj, për po aq ditë, shndërrohet në droçkë gjaku, më pas, shndërrohet në një copë mishi për po aq ditë. Pas kësaj, i dërgohet një engjëll, që ia fryn shpirtin..”1

    Andaj sipas kësaj që u cek, fazat mund ti ndajmë në:

    1. Faza e parë: E ajo është faza e hedhjes së farës dhe ngjitja e saj për mitër, d.m.th. dyzet ditët e para.
    2. Faza e dytë: Është faza e formimit të droçkës së gjakut, d.m.th. dyzet ditët tjera, që së bashku me fazën e parë formojnë një periudhë kohore pi tetëdhjetë ditësh.

    Në këta dy faza nuk ka asnjë vendim sheriatik ndaj saj dhe ajo llogaritet e pastër, ndërsa gjaku llogaritet gjak istihada (i gjendjes së çrregullimit, hemoragjisë). Kështu vazhdon me namaz dhe agjërim, e nëse ka rrjedhje të vazhdueshme të gjakut, merr abdes për çdo namaz.

    1. Faza e tretë: Është faza e shndërrimit në një copë mishi, e ajo është dy lloje:
    • Është formuar si copë mishi, por nuk ka asnjë formim të pamjes së njeriut, atëherë kjo fazë merr të njëjtën dispozitë sikurse fazat e lartpërmendura, pra nuk ka ndonjë vendim sheriatik të ndërlidhur me të.
    • Është formuar si copë mishi dhe është formuar në formë njeriu, pjesërisht (një dorë, apo këmbë, apo fytyrë, etj.) apo tërësisht si një njeri, atëherë gjaku që del konsiderohet si gjak i lindjes dhe gruaja llogaritet lehonë, pra duhet të ndalojë faljen dhe agjërimin derisa të pastrohet. Si e tillë nuk është e lejuar të ketë kontakt intim me burrin e sajë. E nëse gjakderdhja nuk i ndalon, në momentin që i plotëson dyzet ditë, nga ai moment pastrohet dhe llogaritet e pastër, ndërsa gjaku llogaritet gjak i çrregullimeve.
      Po ashtu është edhe dëshmi e përfundimit të periudhës së pritjes pas ndarjes (idetit).

    Nëse gruaja aborton në njërën nga fazat e sipërpërmendura, atëherë ai fetus nuk trajtohet si një njeri i gjallë, nuk i falet namazi, mbështillet (duke mos u kushtëzuar të qefinoset) dhe varroset kudo. Dhe ky është mendimi i juristëve Islam.

    Ibn Kudame thotë: “Sa për atë që nuk ka arritur katër muaj, ai nuk lahet, nuk i falet namazi, mbështillet me një leckë dhe varroset.

    1. Faza e katërt: Është faza e fryrjes së shpirtit, e që fillon nga dita njëqind e njëzet e një e më tej. Po edhe kjo fazë është dy lloje:
    • Nëse fëmija nuk shfaq shenja jete gjatë abortit
    • Nëse fëmija shfaq shenja jete, edhe në qoftë se këta shenja dëgjohen apo vërehen vetëm edhe një çast të vetëm pasi ai të ketë lindur, edhe nëse pastaj vdes, ai trajtohet si një fëmijë i gjallë.

    Si në rastin e parë dhe të dytin, xhenazja lahet, i falet namazi dhe ai varroset në varrezat e myslimanëve. Po ashtu therret kurban për të (akika).
    Po ashtu gruaja llogaritet lehonë, dhe vlejnë për të rregullat e lehonës

    Këtë e dëshmon transmetimi i Mugira bin Shu’bes i cili tregon se i Dërguari ﷺ ka thënë: “Foshnjës së lindur para kohe i falet namazi, ndërsa për prindërit e tyre lutuni për falje dhe mëshirë”2

    Dallimi i vetëm mes tyre është se në rastin kur fetusi i abortuar shfaq shenja jete, ai trashëgon dhe mund të lërë trashëgimi si çdo i posalindur tjetër.

    Tregon Xhabir ibn Abdullah se i Dërguari ﷺ ka thënë: “Nëse foshnja lind i gjallë, ai merr pjesë në trashëgimi”.3

    Përmblodhi: Senad Ramadani / https://www.rizgjimi.com/

    1. Buhariu:3208 dhe Muslimi:2643. ↩︎
    2. Ebu Davudi: 3180 ↩︎
    3. IbnMaxhe: 1508 ↩︎
  • A lejohet të heqësh shaminë në një shtëpi të huaj kur je vetëm me motra muslimane?

    A lejohet të heqësh shaminë në një shtëpi të huaj kur je vetëm me motra muslimane?

    Pyetje: Kam një pyetje për mbulesën. Jam një motër me mbulesë, por desha ta di se kur të shkosh mysafire a mundesh me e heq mbulesën në shtëpi të huaj, bëhet fjalë kur je vetëm me motra muslimane. Zoti ju shpërbleftë me të mira për punën që e bëni!
    Eselamu alejkum!

    Përgjigje: Nëse vendi ku shkoni mysafire është i sigurt për ju nga ballafaqimi me meshkuj të huaj dhe nuk ju paraqitet asnjë pengesë e mundshme, por qëndroni në ambient vetëm më femra, atëherë ju lejohet ta hiqni shaminë, edhe pse nuk jeni në shtëpinë tuaj. Me këtë rast nuk duhet të synoni që t’i zbuloni bukuritë tuaja, qoftë edhe para femrave, por që të liroheni nga shamia për disa çaste, derisa nuk keni aty asnjë mashkull, nga i cili duhet të qëndroni me shami.

    Amin, Allahu ju shpërbleftë me të mira edhe juve!

    Allahu e di më së miri!

    /Hoxhë Muhamed Dermaku/

  • Nëse teshtitë gjatë namazit,, a duhet ta ndërpres duan e të them Elhamdulilah, apo si?

    Nëse teshtitë gjatë namazit,, a duhet ta ndërpres duan e të them Elhamdulilah, apo si?

    Pyetje: Nëse nëse teshtitë gjatë namazit,, a duhet ta ndërpres duan e të them Elhamdulilah, apo si?

    Përgjigje: Natyrisht se kur muslimani teshtitë duhet të thotë Elhamdulilah,ndërsa ai që e dëgjon i thotë Jerhamukellah! I pari ia kthen përsëri“Jehdikumullahu ve juslihu balekum!” Kështu veprohet në gjendje normale. Por sa i përket gjendjes kur teshtitja ndodh gjatë namazit, dijetarët kanë dy mendime se a duhet të thotë Elhamdulilah atëherë kur teshtitë, apo duhet vazhduar namazin normal pa thënë asgjë.

    1. Dijetarët hanefij mendojnë se nuk duhet thënë Elhamdulilah nëse teshtitë gjatë namazit, dhe nëse këtë e bën me vetëdije e prish namazin.

    2. Shumica e dijetarëve ku edhe dijetarët e tre medhhebeve, malikinjtë, shafiinjtë dhe hanbelinjtë mendojnë se Elhamdulilah duhet thënë edhe gjatë namazit nëse teshtitë, duke e ndërprerë atë lutje që je duke e thënë dhe duke vazhduar më pas lavdërimit (fjalës Elhamdulilah). Madje këta dijetarë dallojnë në mendime nëse ky falënderim duhet thënë me zë të theksueshëm apo në heshtje, edhe pse më e saktë është ta thotë këtë në heshtje, duke mos i penguar të tjerët përreth. Ata kanë për argument shtesë nga argumentet e përgjithshme të këtij rregulli hadithin që e transmeton Rifaa Ibën Rafi’, i cili thotë se jam falur pas të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, gjatë namazit teshtiva dhe thash: “ELHAMDULILAHI HAMDEN KETHIREN TAJJIBEN MUBAREKEN FIHI MUBAREKEN ALEJHI KEMA JUHIBBU RABBUNA VE JERDA!”  Pasi i Dërguari përfundoi namazin pyeti: “Kush foli gjatë namazit?” askush nuk u përgjigj. Përsëri pyeti, përsëri askush nuk u përgjigj. Në të tretën kur pyeti, u ngrit Rifaa dhe tha: unë fola o i dërguari i Allahut. Po çka the – e pyeti i Dërguari. Thash kështu: “ELHAMDULILAHI HAMDEN KETHIREN TAJJIBEN MUBAREKEN FIHI MUBAREKEN ALEJHI KEMA JUHIBBU RABBUNA VE JERDA!”  Më pas i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Për Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, kanë garuar tridhjetesa melekë se cili i pari do të ngrehet te Allahu me këtë falënderim.”

    Këtë hadith në këtë version e transmeton Tirmidhiu, Ebu Davudi Nesaiu etj. por dijetarët e hadithit kanë mendime të ndryshme në saktësinë e këtij versioni. Sipas shejh Albanit hadithi është i saktë. Versioni tjetër, të cilin e transmeton Buhariu dhe është i saktë, precizon se këtë falënderim Rifaa e ka bërë kur është ngreh nga rukuja e jo kur ka teshtitë. Disa dijetarë i bashkojnë dy versionet duke thënë se Rifaa ka teshtitë gjatë kthimit prej rukusë dhe e ka thënë këtë falënderim të cilin ia ka miratuar i Dërguari, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, kështu, argumentohet se rregulli i përgjithshëm i teshtimës vlen edhe përgjatë namazit.

    Një gjë duhet cekur se nuk lejohet që këtij që teshtitë dhe e falënderon Allahun t’i thuhet Jerhamukellah!  Kështu mendojnë të gjithë dijetarët. Prapë argumentohen me hadithin tjetër të cilin e transmeton imam Muslimi dhe të tjerë se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të reagoi ndaj atij që i tha personit që teshtiu në namaz, Jerhamukellah!  duke i thënë: “Në namaz nuk lejohet të përdoren fjalët e njerëzve, por gjithë çka mund të thuhet është Tesbih (lavdërim), Tekbir (madhërim) dhe lexim i Kur’anit.”

    Kështu, nëse fjalën Elhamdulilah pas teshtimës e thua në vete, do të jetë mirë dhe nuk do të prishet namazi, kurse nëse nuk e thua fare, nuk mëkaton.

    Allahu e di më së miri!

     

    /Hoxhë Muhamed Dermaku/

  • A lejohet të fshehësh të metat e një produkti gjatë shitjes në Islam?

    A lejohet të fshehësh të metat e një produkti gjatë shitjes në Islam?

    Fshehja e të metave të artikullit gjatë shitjes

    I Dërguari, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka kaluar pranë njërit (në treg) që ka pasur një shportë me ushqim. E futi do- rën në shportë dhe iu lagën gishtat. I thotë atij njeriut: Ç’është kjo o pronar i ushqimit? Ai tha: – Prej shiut o i Dërguar i All-llahut. I Dërguari i tha: Sikur ta kishe lënë sipër ushqimit që ta shohin njerëzit. Sepse kush mashtron, nuk është prej neve. “ (Muslimi)

    Sot ka shumë shitës që nuk i frikësohen All-llahut, e i mbulojnë të metat e artikullit për shitje duke ngjitur ngjitëse mbi të. Apo e vë ate në fund të kutisë, përdorin lëndë kimike që të duket më mirë, ose edhe e fshehin të metën e zërit të motorit në shitje të veturës, e kur blerësi largohet, nuk shkon shumë kohë dhe prishet. Disa të tjerë ndërrojnë datën e afatit të skadencës, apo nuk lejojnë që blerësi të shikojë artikullin, ta kontrollojë apo ta provojë. Shumica nga ata që shesin vetura e vegla nuk i tregojnë të metat. Kjo gjë është haram. I Dërguari, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i lejohet muslimanit t’i shet vëllait të vet diç që ka të metë përveç nëse ia qartëson atij. “ (Ibën Madhe, Sahihul Xhami)

    Disa mendojnë se janë të shkarkuar prej përgjegjësisë nëse në ankand publik përdorin shprehje të rrumbullaksuara si- shes një grumbull hekurash. Përdorimi i “Grumbull heku- rash” dhe hile të ngjajshme është tregti pa bereqet. I Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Dy shitblerës kanë të drejtë zgjedhje derisa nuk janë ndarë, nëse kanë thënë të drejtën dhe kanë qartësuar, begatohen në tregtinë e tyre, por nëse gënjejnë dhe fshehin u zhduket begatia e tregtisë së tyre. “ (Buhariu)

    /Shejh Salih el-Mundexhid/

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline