Category: Pyetje & Përgjëgjje

  • E vjella, a konsiderohet papastërti?

    E vjella, a konsiderohet papastërti?

    E vjella, a konsiderohet papastërti?

    Komisioni i përhershëm i fetvave, thotë: “E vjella, konsiderohet e papastërt, qoftë nëse del prej fëmijës apo të rriturit, sepse ajo (e vjella) është ushqim i cili ka ndryshuar në brendësi (stomak) dhe ka kaluar në prishje. Ajo përngjan njësoj me nevojën dhe gjakun. Nëse ajo bie tek rrobat apo diku tjetër, atëherë bëhet detyrë larja e saj (vendit) me ujë duke e fërkuar derisa të largohet papastërtia dhe gjurmët (shenjat) e saj dhe të pastrohet vendi.”

    (Lexhentu ed Daimeh 4/193)

    Shejh Ibën Bazi (Allahu i Madhëruar e mëshiroftë!) është pyetur: A ndikon e vjellura në pastërtinë e rrobave apo jo?

    Ai (Allahu e mëshiroftë!) tha: “Nëse është e pakët, nuk ka problem, ndërsa nëse është e shumtë ajo duhet të lahet, sepse shumica e dijetarëve e kanë lidhur (përngjasuar) me urinën. Prandaj duhet që rrobat të pastrohen prej saj dhe(po ashtu) çdo pjesë e trupit që është prekur nga ajo (e vjellura). E nëse ajo është e pakët, kjo nuk përbën problem ashtu siç nuk përbën problem gjaku dhe qelbi i pakët e të ngjashëm me to. Qoftë kjo nëse del prej të mëdhenjve apo të vegjëlve. Është e njëjta situatë (gjykim).”

    “Fetauanurunalaed-derb” (5/379)

    Po ashtu Ibn Bazi(Allahu e mëshiroftë!) është pyetur: A lejohet të falet namazi me rroba mbi të cilat ka vjellur foshnja që ushehet me gji?

    Ai (Allahu e mëshiroftë!) tha: “Duhet që ajo (rroba) të spërkatet me ujë nëse fëmija ushqehet me gji dhe nuk ha ushqim, sepse ajo (në këtë rast) është njësoj si urina. Kështu që, spërkatet me ujë dhe lahet me të. Por nuk duhet falur me to derisa të spërkatet me ujë.”

    “Fetaua nurun ala ed-Derb” (7/316)

    Përktheu: Unejs Sheme
    https://udhaebesimtareve.com/

  • Si t’i bëni fëmijët tuaj që të falin namazin vetvetiu, pa i nxitur ata fare me fjalë apo polemika?!

    Si t’i bëni fëmijët tuaj që të falin namazin vetvetiu, pa i nxitur ata fare me fjalë apo polemika?!

    Si t’i bëni fëmijët tuaj që të falin namazin vetvetiu, pa i nxitur ata fare me fjalë apo polemika?!

    Fëmijët tuaj nuk falen, ata ju kanë lodhur duke i nxitur për namaz!

    Ejani pra dhe shikoni se si do t’i ndryshoni ata që të falen vetvetiu bi idhnilah te ala (me leje të Allahut të Lartësuar).

    Njëra nga motrat muslimane tregon rrëfimin e saj dhe thotë: ”Po ju tregoj se si më ka ndodhur mua kjo ngjarje interesante . Vajza e ime ishte në klasën e pestë të shkollës fillore, shumë vështirë i vinte falja e namazit. I vinte vështirë deri në atë masë saqë një ditë prej ditëve i thashë: “Ngrihu falu, e pastaj e përcolla dhe e pashë se ajo mori sexhaden dhe e gjuajti për tokë. Mua më erdhi keq shumë për këtë gjest të saj. Ajo erdhi tek unë dhe e pyeta: A u fale? Ajo më tha po.

    Më besoni se pa vetëdije e godita me shuplakë në fytyrë. Kuptova se bëra gabim, po ai gjest i saj shumë më mundoi, e qortova shumë dhe më pas qava. E këshillova dhe e frikësova me dënimin e Allahut të Lartësuar për ata të cilët nuk falin namazin, por i tërë mundi më shkoi kot, pa kurrfarë suksesi.

    Një ditë njëra nga motrat muslimane më tregoi një ngjarje shumë interesante që i kishte ndodhur asaj. Ajo kishte vizituar njërën nga te afërmet e saj. E afërmja e saj ishte jo edhe aq shumë e devotshme, por posa hyri koha e namazit, u ngritën fëmijët e saj dhe menjëherë u falën vetë pa kurrfarë nxitjeje nga ajo apo kërcënimi. U habita për këtë dhe i thashë: Si është e mundur që fëmijët e tu të falen pa i urdhëruar dhe pa i kërcënuar?

    Ajo më tha: Vallahi nuk kam bërë diçka tjetër vetëm se para martesës e kam bërë këtë lutje dhe vazhdoj ta bëj atë deri sot. Unë e mora atë këshillë prej asaj motre muslimane. Fillova t’i lutem Allahut shumë me atë dua që ma tregoi ajo motër. Lutesha me atë dua në namazin e vitrit dhe gjatë gjithë namazeve farze para se të jepja selam si dhe në të gjitha ato kohë ku Muhamedi salallahu alejhi ue selam na ka treguar se janë kohë që Allahu i pranon duatë. Vallahi, vajza e ime prej ditës së parë që kam filluar këtë dua është ajo që vetë na zgjon nga gjumi dhe na kujton namazin, së pari mua pastaj edhe të gjithë vëllezërve të saj. Gëzohem që të gjithë i kushtojnë rëndësi të madhe namazit. Këtë befasi për të mirë e pa edhe nëna ime, kur na vizitoi në shtëpi. Ajo u mahnit kur vërejti se vajza ime ishte ajo që tani vetë zgjohej dhe na zgjonte edhe ne për namaz .

    Unë tani e di se ju jeni shumë kureshtarë që ta dini atë dua e cila ndryshon jetën e fëmijëve tuaj. Ajo dua është kjo:

    ” رَبِّ اجْعَلْنِي مُقِيمَ الصَّلاَةِ وَمِن ذُرِّيَّتِي رَبَّنَا وَتَقَبَّلْ دُعَاء ” [إبراهيم: 40]

    (Rabbixh- Alni mukimes salati ue min dhurr-rrij-jeti. Rab-bena ue tekab-bel du’a).

    Në gjuhën shqipe kjo dua ka këtë përkthim: “O Zoti im! Më bëj mua nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mi dhe pranoje lutjen time o Zoti ynë!” (El Ibrahim: 40)

    Dhe së fundi, pra le të jetë kjo këshillë për të gjithë ju: Mos harroni! Sa më shumë dua, dua, dua, ngase ju e dini shumë mirë se duaja është arma më e fortë e besimtarit.

    Ju porosis që këtë këshillë ta shpërndani sa më shumë që të keni mundësi, në mënyrë që të kenë dobi sa më shumë njerëz.

    /muslimanet e vegjel/

  • Si të bëjm davet me familjarët?!

    Si të bëjm davet me familjarët?!

    Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamed dhe mbi familjen, shokët dhe të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

    Thirrja në islam e pjesëtarëve të familjes është ndër detyrat më të rëndësishme për një musliman, duke zbatuar kështu urdhërin e Allahut tek thotë:
    (وَأَنْذِرْ عَشِيرَتَكَ الْأَقْرَبِينَ)
    “Dhe ti paralajmëroje farefisin tënd më të afërm” [Sure Ash-Shu’ara: 214]
    Dhe nuk ka dyshim që thirrja apo daveti është detyrë e vështirë dhe një përpjekje që duhet të jet e vazhdueshme, por in sha Allah bëhet e lehtë atëherë kur qëllimi është shpëtimi i njerëzve më të dashur nga humbja dhe udhëzimi i tyre në dritën e islamit.
    Sado që të flasësh për këtë temë nuk do të mjaftonte, por do të jap disa këshilla, të cilat in sha Allah do të jenë vërtet ndihmuese në këtë rrugë:
    1- Bëhu ti shembull i mirë i islamit.
    Familja jote shikon në moralin dhe sjelljen tënde, islamin dhe për çdo gjë që vepron mundohu të jet pasqyrë e moralit islam… Kujdes që të mos jesh prej atyre të cilët Allahu i përshkruan në Kuran:
    (أَتَأْمُرُونَ النَّاسَ بِالْبِرِّ وَتَنْسَوْنَ أَنْفُسَكُمْ)
    “Vallë, a po i urdhëroni ju njerëzit që të bëjnë të mira, e veten po e harroni…”
    [Sure Al-Bekare: 44]
    Sjellja dhe morali flasin më shumë për islamin sesa mijëra fjalë që do të mundohesh t’i përzgjedhesh, kështu që përmiso sjelljen dhe moralin tënd duke qenë kështu shembull i mirë për islamin.
    2- Nuk ka dyshim që pas sjelljes dhe moralit vjen të folurit me fjalë të ëmbla dhe të buta…
    Kujdes! Mos flit ashpër, sepse ashpërsia mund të shtojë më tepër kryeneçësinë e atij që e fton, por zgjidhi fjalët më të buta, sepse vërtet të folurit butë e zbut zemren.
    Dhe gjithnjë njeriu sado i egër apo i ashpër të jet, tek dëgjon fjalë të buta dhe të ëmbla zbutet dhe afrohet dhe dëshiron të degjojë këtë butësi.
    Allahu tek urdhëroi Musain dhe Harunin alejhi selam, për të vajtur tek Firauni dhe për ta ftuar atë, i urdhëroi që t’i flisnin butë:
    ( فقولا له قولا لينا لعله يتذكر أو يخشى)
    “Dhe flitni atij fjalë të buta, që të këshillohet apo të frikësohet”. [Ta ha: 44]
    3- Njohja e personalitetit dhe mentaliteti i njeriut që e fton në islam është shumë e rëndësishme.
    Po të arrish të kuptosh mentalitetin e tij vërtet që ke gjetur një çelës për të hapur portën e komunikimit me të.
    Dijetarët e kanë përngjasuar ftuesin me doktor, ndërsa njeriun që e fton në islam e kanë përngjasuar me një të sëmurë që duhet ta dish sëmundjen e tij në mënyrë që t’i japësh ilaçin e duhur.
    4- Gjëja më e rëndësishme që duhet t’u flasësh në fillim është akidja e pastër dhe rëndësia e teuhidit.
    Profeti salallahu alejhi ue selem, qëndroi 13 vite në Meke dhe ftoi në teuhid, kështu që gjatë këtyre viteve besimtarët e ndërtuan teuhidin e pastër në zemrat e tyre dhe ditën e çlirimit të Mekës thyen idhujt për të pastruar Qaben nga to, ndërkohë që në fillim ishin thyer në zemrat e tyre.
    Nuk ka vlerë asnjëherë adhurimi pa pasur akiden e pastër; kështu që gjëja e parë në të cilën duhet ftuar  është teuhidi, gjë të cilën e kemi shtjelluar edhe në mësimet e akides që kemi bërë bashkë.
    Duke mos harruar t’ju vë në dije që edhe Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) ka një libër të titulluar:
    التوحيد أولا يا دعاة اﻹسلام
    “Teuhudi në fillim o thirrës të islamit”
    Dhe ky libër është përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe.
    5- Sabri dhe durimi gjatë davetit.
    Të mos shpejtosh në frutet e davetit tënd…
    Bëj durim! E rëndësishme është që ti je përpjekur me mënyrat më të mira për t’ia prezantuar islamin, ke thënë të vërtetën:
    (وقل الحق من ربكم فمن شاء فليؤمن ومن شاء فليكفر) 
    “Dhe thuaj: “E vërteta është nga Zoti yt. Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë” [Kehf: 29]

    Këto ishin disa këshilla, të cilat mendoj që janë të rëndësishme për një person që gjithnjë t’i ketë parasysh gjatë davetit të tij.
    Lus Allahun që të na jap sukses në çdo gjë që Ai është i kënaqur! Të na i udhëzojë të dashurit tanë, sepse vërtet Ai udhëzon kë do dhe kë do që e udhëzon Allahu s’ka kush e humb.

    Përgjigjet Adelina Kuçana

  • A e falë Allahu shirkun nëse njeriu pendohet prej tij?

    A e falë Allahu shirkun nëse njeriu pendohet prej tij?

    Pyetja:

    I dashur hoxhë! Kam një pyetje së cilës ju lutem mundësisht t’i përgjigjeni inshallah, Allahu jua shpërbleftë. Me një vëlla diskutonim rreth ajetit kuranor: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do. Kush i përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.”
    Ai vëlla më herët më patë pyetur se a e fal Allahu shirkun. Unë iu pata përgjigjur se nëse njeriu bën teube (pendim) të sinqertë, Allahu është Falës dhe e fal nëse kthehet në rrugë të drejtë, inshallah. Kurse ai më citonte këtë ajet dhe sot më tha se mos e thuaj më atë fjalë, se e fal Allahu këtë mëkat, sepse sipas ajetit i bie të mos e falë. Unë i thashë se kuptimi i ajetit, që sipas hoxhallarëve që kam dëgjuar, është se këtu kuptojmë se Allahu s’e fal shirkun në qoftë se njeriu vdes pa bërë teube. Unë i mora disa shembuj se për disa mëkate që bëjmë, edhe nëse harrojmë, gabojmë, mashtrohemi e nuk bëjmë teube, Allahu na fal (inshallah), nëse do Ai. Mirëpo nëse njeriu nuk bën teube për shirkun, për të s’ka falje. Ai vëllai ishte kategorik se nëse njeriu, përkatësisht muslimani, bie në shirk, atij më nuk i falet ai mëkat, kurse unë i thoja se ne duhet t’i bëjmë davet dhe nëse Allahu e udhëzon dhe e fal, ai prapë hyn në radhët e muslimanëve. Nuk arritëm ta përfundojmë bisedën sepse s’kishim gjuhë të përbashkët. Si e gjykoni bisedën tonë dhe na mësoni çështjen hollësisht. Allahu ju shpërbleftë! Allahu na ruajttë ne dhe familjet tona nga shirku! Allahu na mundësoftë përfundimin e mirë! Allahu na mundësoftë të vdesim me iman! Amin!

    Eselamu alejkum!

    ***

    Përgjigjja:

    Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

    Problematika për të cilën ju keni diskutuar është një çështje që ka shkaktuar paqartësi te disa muslimanë në të kaluarën, por edhe tani. Para se ta trajtoj pikën e kërkuar, duhet të theksoj një parim shumë të rëndësishëm.

    Si duhet të kuptohet Kurani

    Kuptimi i ajeteve kuranore, komentimi i tyre dhe nxjerrja e dispozitave nga ato nuk bëhet vetëm duke e marrë kontekstin e një ajeti të caktuar pa shikuar edhe të dhënat e tjera që ekzistojnë në lidhje me atë çështje. Me fjalë të tjera, që të kuptohet domethënia e një ajeti të caktuar, krahas kuptimit të ajetit duhet të shikohen edhe fakte të tjera, si p.sh.
    -ajeti paraprak ose tërësia e ajeteve që kanë kaluar;
    -ajeti ose ajetet që kanë ardhur pas këtij ajeti;
    -ajetet e tjera në Kuran të cilat flasin për atë problematikë;
    -shkaku i zbritjes së ajetit është një e dhënë shumë e rëndësishme tek e cila duhet të mbështetemi, nëse dëshirojmë t`i japim kuptimin e saktë ajetit;
    -duhet të shikohet nëse gjendet komenti i ajetit të cilën ia ka bërë Muhamedi salallahu alejhi ue selem në hadithe, qoftë me thënie, praktikë apo miratim, pasi Suneti është sqarues i Kuranit;
    -të shikohet ajeti a është i deroguar apo jo;
    -domethëniet e fjalëve të cilat kanë ardhur në atë ajet, pasi një fjalë në gjuhën arabe mund të ketë më shumë se një kuptim dhe secili kuptim ndërlidhet me mënyrën se si përdoret në fjali. Prandaj, që të kuptohet një ajet si duhet, është e domosdoshme të njihet gjuha arabe;
    -sqarimet që ia kanë bërë sahabët ajetit dhe si e kanë praktikuar ata atë ajet, pasi atyre u zbriti Kurani dhe ata janë njohësit më të mirë të Kuranit.

    Këto janë vetëm disa nga faktet që duhet të kihen parasysh nëse dëshirojmë t`i japim kuptim të saktë ajetit dhe për shkak të ikjes nga komplikimi nuk do të përmend më shumë fakte.

    Do të marr si shembull tre ajete për të sqaruar rrezikshmërinë e nxjerrjes së ajeteve duke u mbështetur vetëm në domethënien që jep ajeti në vetvete pa shikuar faktet e tjera.

    1. Allahu i Lartësuar në suren “Maun”, ajeti 4 thotë: “Mjerë për ata që falen”. Nëse këtij ajeti i shikohet domethënia pa vazhduar ajetin që vjen pas, atëherë kuptohet se Allahu kërcënon falësit, por ajeti i radhës sqaron kuptimin e plotë se për kë është kërcënimi. Allahu i Lartësuar në ajetin në vazhdim thotë: “Të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm”. Kjo do të thotë se Allahu i Lartësuar ua tërheq vërejtjen dhe i kërcënon ata që e shpërfillin dhe nuk e falin namazin si duhet.

    2. Abdullah ibën Mesudi tregon se kur zbriti ajeti: “Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e përzien me zullum (dhulm), atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë1”, sahabëve iu duk e rëndë kjo dhe thanë: “O i Dërguar i Allahut, cili nga ne nuk i bënë zullum vetes?” Atëherë Muhamedi ﷺ thotë: “Nuk është ajo që ju po mendoni. A nuk keni dëgjuar çfarë ka thënë robi i devotshëm(Llukmani alejhi selam): “Kur Llukmani duke e këshilluar, birit të vet i tha: “O djali im, mos i përshkruaj Allahut shok, sepse idhujtaria është zullum i madh!2” Sqaroi se me fjalën zullum në ajetin e parë është për qëllim shirku dhe jo çdo zullum.3”

    3. Allahu i Lartësuar thotë: “Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë(Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo,…4 ”Enes Ibën Maliku thotë se shokët e Muhamedit ﷺ e kanë pyetur se cili person plotëson kushtin që ka ardhur në ajet: “…për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo”. Ai është përgjigjur se personi i cili posedon mjetin e udhëtimit dhe furnizimin për të marrë rrugë1. Kuptimi i ajetit u kuptua duke u bazuar në sqarimin që ia bëri Muhamedi ﷺ.

    Duke pasur parasysh këto, i bëjmë me dije çdo lexuesi, e posaçërisht muslimanit që me sinqeritet dëshiron të njohë mirë domethënien e fjalëve të Allahut, se nëse has në ndonjë ajet që i krijon paqartësi, mos të nxitojë të arrijë në përfundime individuale, por të pyesë ata të cilët i kanë parasysh këto gjëra që u përmendën pak më herët. Gjithashtu, duhet të kuptojmë edhe atë se shumica e devijimeve dhe krijimi i grupimeve (sekteve të humbura) te muslimanët ka qenë metodologjia e gabuar në komentimin e Kuranit, duke mos pasur parasysh mënyrën e saktë të komentimit të tij.

    A e fal Allahu i Lartësuar shirkun?

    Ndërsa sa i përket ajetit për të cilin bëni pyetje, Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do. Kush i përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” (Nisa, 48). Gjithashtu thotë: “Është e vërtetë se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i bëhet Atij shok, e pos këtij (mëkati), të tjerat i fal atij që dëshiron. Ai që i përshkruan shok Allahut, ai ka humbur dhe bërë një largim të madh (prej së vërtetës).” (Nisa, 116)

    Nëse nxjerrim domethënien e këtyre dy ajeteve duke u mbështetur vetëm në kontekstin e tyre, atëherë arrijmë në përfundim se Allahu i Lartësuar nuk e fal shirkun kurrë, as në këtë botë e as në botën tjetër. Mëkatet e tjera përveç shirkut i nënshtrohen dëshirës së Allahut; nëse do, Ai i fal, nëse nuk do, nuk i fal.

    Por domethënia e ajeteve nuk është kështu. Këto dy ajete flasin për njeriun i cili vdes në shirk, se Allahu i Lartësuar nuk ia fal atij atë mëkat në Ditën e Gjykimit, ndërsa nëse njeriu vdes me tevhid, por ka vepruar mëkate të tjera përveç shirkut, atëherë Allahu i Lartësuar, nëse do, ia fal atij, edhe nëse në këtë botë nuk ka kërkuar pendim për ato mëkate të tjera.

    Ibën Kethiri, në komentimin e ajetit 48 të sures Nisa, thotë: “Allahu i Lartësuar na tregoi se “…nuk fal t’i përshkruhet Atij shok (t`i bëhet shirk)…”; do të thotë nuk e fal robin që takon Allahun (Ditën e Gjykimit) duke qenë mushrik në Të. “…e përpos këtij i fal kujt do”, do të thotë se pos këtij mëkati ia fal të tjerat atij që Ai do nga robërit e Tij”.

    Sqarimi i ajetit në këtë mënyrë (d.m.th. se shirkun nuk e fal Allahu në Ditën e Gjykimit) është në pajtueshmëri me Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit, ﷺ dhe kështu komentohet nga të gjithë mufesirinët. Në të kundërtën, çdo komentim tjetër i ajetit në formën se shirkun nuk e fal Allahu i Lartësuar, edhe nëse pendohet njeriu në këtë botë, është anashkalim dhe shtrembërim i Kuranit e Sunetit dhe i mësimeve islame në përgjithësi. Në vazhdim do të përmendim disa ajete që vërtetojnë se Allahu i Lartësuar e fal shirkun nëse njeriu pendohet para vdekjes:

    1. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Edhe ata që pos Allahut nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi Ditën e Kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai fal shumë.6”

    Këto ajete sqarojnë shumë qartë atë që e cekëm më lart, se ajetet të cilat flasin se Allahu nuk e fal mëkatin e shirkut kanë për qëllim nëse njeriu vdes pa u penduar dhe takon të Plotfuqishmin duke qenë mushrik në Të. Në fillim të këtyre ajeteve thuhet: “Edhe ata që pos Allahut nuk lusin zot tjetër…”, do të thotë se nuk i bëjnë shirk Allahut dhe krahas këtij mëkati të keq përmend edhe disa mëkate të tjera si vrasja dhe kurvëria. Në vazhdim të ajetit thuhet: “…ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi Ditën e Kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë.7”, që do të thotë se kush i kryen këto mëkate (shirk, vrasje dhe kurvëri), atëherë ai do të ndëshkohet në Ditën e Gjykimit. Në ajetin e radhës përjashtohet nga ndëshkimi personi i cili i ka bërë këto mëkate (ndër to edhe shirkun), por është penduar dhe është përmirësuar (ka bërë vepra të mira), se do ta falë Allahu, madje tregohet se të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu i Lartësuar thotë:“Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai fal shumë.” (Furkan, 70)
    Këto ajete të sures “Furkan” shumë qartë bëjnë me dije se Allahu i Lartësuar e fal shirkun, nëse njeriu pendohet para vdekjes.

    2. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që patën besuar, e pastaj u bënë mohues (qafirë, jobesimtarë), e përsëri u bënë besimtarë, dhe përsëri u bënë mohues dhe e shtuan mohimin, Perëndia me të vërtetë, nuk do t’i falë ata dhe nuk do t’i shpjerë në rrugë të drejtë8”. Kuptimi i këtij ajeti është se gjëja me të cilin njeriu do të gjykohet Ditën e Kiametit është se si ka vdekur; nëse vdes si besimtar, atëherë falet (edhe nëse një pjesë të jetës e ka kaluar në kufër dhe shirk). Në anën tjetër, nëse gjatë jetës një kohë ka qenë besimtar ose ka pasur faza të ndryshme, njëherë besimtar njëherë qafir, atëherë gjëja në të cilën do të gjykohet është se si ka vdekur. Po qe se fundi i njeriut është kufri dhe shriku, atëherë atë nuk do ta ndihmojë besimi i mëhershëm.

    Ekzistojnë edhe hadithe të shumta që dëshmojnë se nëse njeriu bën shirk, por para se të vdesë kërkon pendim, Allahu i Lartësuar e fal. Ndër këto hadithe përzgjedhim:

    1. Muhamedi ﷺ tregon në një hadith kudsi, se Allahu i Lartësuar thotë: “Kush më takon Mua duke mos më bërë shirk, por me mëkate sa toka, Unë do ta takoj me aq magfiret (falje) atë.9”
    2. “Allahu i Lartësuar e pranon pendimin nga robi i Tij derisa të mos arrijë gargaranë (momentin e vdekjes).10”
    3. “Allahu i Lartësuar shtrin Dorën e Tij gjatë natës që ta falë mëkatarin e ditës dhe shtrin Dorën e Tij gjatë ditës që ta falë mëkatarin e natës, derisa të lindë dielli nga perëndimi.11”

    Këto ishin disa nga hadithet të cilat flasin për çështjen. Ndërsa sa i përket thënies së dijetarëve dhe komentuesve të Kuranit, të gjithë theksojnë këtë që përmendëm, se ajeti rreth mosfaljes së shirkut ka të bëjë me njeriun që vdes pa u penduar nga ai shirk. Këtë e theksojnë mufesirinë si Imam Taberiu, Ibën Xhevzi, Ibën Kethir, Shinkiti dhe shumë të tjerë.

    Shejhul Islam Ibën Tejmije thotë: “Rreth thënies së Allahut: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet, Ai është që shumë fal dhe është mëshirues!”(Zumer, 53). Kemi përmendur në herët në një vend tjetër se ky ajet ka të bëjë me të penduarit. Ndërsa dy ajetet e sures Nisa: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do12”, nuk lejohet të themi se kjo ka të bëjë me të penduarit, ashtu si thonë disa nga mutezilët. Çështja se të penduarit nga shirku Allahu ia fal atë shirk është në përputhje me citatet e Kuranit dhe me pajtueshmërinë e muslimanëve.13”

    Gjithashtu, në një vend tjetër Ibën Tejmije thotë: “Allahu i Lartësuar në Librin e Tij thotë: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do.14” Allahu na bëri me dije se çdo mëkat përveç shirkut ndërlidhet me dëshirën e Tij, por nuk lejohet që ky ajet të përgjithësohet edhe ndaj të penduarve. Tek i penduari nga mëkatet nuk ka dallim në mes shirkut dhe mëkateve të tjera, ashtu si thotë Allahu i Lartësuar: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet.15 ” Në këtë ajet i përgjithësoi të gjitha mëkatet në falje për ata që pendohen.16”
    Kjo ishte ajo që arritëm të përmbledhim në këtë përgjigje, Allahu e di më së miri!

    Hoxhë Alaudin Abazi

  • A është gjynah të shkundet mbulesa e sofrës së bukës apo e tavolinës nga dritarja natën?

    A është gjynah të shkundet mbulesa e sofrës së bukës apo e tavolinës nga dritarja natën?

    Pyetja:

    A është gjynah të shkundet mbulesa e sofrës së bukës apo e tavolinës nga dritarja natën?

    ***

    Përgjigjja:

    Gjynah është se mund të ketë ndonjë njeri që kalon poshtë dhe e bën për dush të shkretin. Por nëse është në oborrin tënd dhe thua: “Bismilah” dhe e shkund nuk ka asnjë lloj problemi fetarisht, qoftë natën, ditën, në mëngjes apo në darkë.

    Imam dr. Ahmed Kalaja

  • A i lejohet çiftit musliman të mbajë Kuran në dhomën e gjumit?

    A i lejohet çiftit musliman të mbajë Kuran në dhomën e gjumit?

    Pyetja:

    A i lejohet çiftit musliman të mbajë Kuran në dhomën e gjumit? Sepse mes çiftit parashihet të ketë edhe intimitet dhe a mund të jetë kjo mosrespekt i Kuranit?

    ***

    Përgjigjja:

    Falënderimi i takon Allahut.

    Së pari:

    Nuk ka dallime në mendime midis dijetarëve se është e detyrueshme të tregohet respekt ndaj Kuranit dhe të trajtohet me kujdes.

    Neveviu ka thënë: Dijetarët janë pajtuar njëzëri se është e detyrueshme të respektohet Kurani dhe të trajtohet me kujdes. [1]

    Së dyti:

    Dijetarët kanë përmendur shumë shembuj të mosrespektimit të Kuranit, duke përfshirë këtu:

    Hedhja e tij në tokë ose në vende të pista, shkelja mbi të, ose pështyrja në të dhe veprime të tjera që tregojnë mosrespektim të fjalës së Allahut.

    Por kjo nuk përfshin një burrë që kryen marrëdhënie seksuale me gruan e tij në një dhomë në të cilën ka Mus’haf, pavarësisht nëse ka apo jo dhoma të tjera.

    Është e njohur se shtëpitë e shumicës së muslimanëve nuk janë pa mus’hafë, por nuk ka asnjë raport nga asnjë prej dijetarëve – në ato që kemi nga librat e tyre – që sugjeron se nuk lejohet që burri të kryejë marrëdhënie me gruan e tij në një dhomë në të cilën ka një Mus’haf. Nëse ky do të ishte një parim i vendosur sipas këndvështrimit të tyre, ata do ta kishin deklaruar dhe shpjeguar atë, siç shpjegonin çështjet e tjera të dijes. Meqenëse nuk përmendën një rast të tillë apo raste të ngjashme, kjo tregon se parimi bazë mbetet në fuqi.

    Një burrë e pyeti Ibn Abbasin: “A mund ta vendos Mus’hafin në shtratin ku kam marrëdhënie intime me gruan?” Ai tha: “Po.” [2]

    I lejohet dikujt të lexojë Kuran në dhomën e gjumit dhe në shtrat, nëse nuk është xhunub, dhe mund të lexojë nga Mus’hafi (Kurani) nëse ka abdes.

    Sikur të ishte haram vendosja e Mus’hafit (Kurani) në dhomën e gjumit, që zakonisht është vendi ku ndodh intimiteti mes bashkëshortëve, dijetarët do ta kishin sqaruar dhe nuk do ta kishin neglizhuar, sepse është diçka që ndodh vazhdimisht dhe është diçka për të cilën njerëzit kanë nevojë ta dinë.

    Komisioni i Përhershëm për Fetva(3/67)

    Allahu e di më së miri.

    islamqa.info

    ——————————-

    [1] “el-Mexhmu” (2/85)

    [2] Abdu Rrezzaaku, “Musannef” (2/171); Ibn Ebi Davudi, “el-Mesahif” (446)

  • Familja e burrit më detyrojnë të shkoj në ahengje ku janë të përziera gjinitë e unë jam me mbulesë

    Familja e burrit më detyrojnë të shkoj në ahengje ku janë të përziera gjinitë e unë jam me mbulesë

    Pyetja:

    Jam me mbulesë, familja e burrit po më detyrojnë të shkoj në ahengje ku janë të përziera gjinitë. Si të veprojë?

    ***

    Përgjigjja:

    Kjo është një kohë e fitneve, është kohë për të cilën Pejgamberi ﷺ ka thënë:“Islami ka ardhur i huaj dhe prapë do të të bëhet i huaj, e të lumtë ata që do të jenë të huaj në atë kohë.” [1]

    Dhe ka thënë ai ﷺ: “Do të vie një kohë ku ai i cili e mban fenë do të jetë sikur të mbajë në gacë në grushtin e tij.” [2]

    Me këtë deshta të them se në vend se njerëzit të kenë turp kur përzihen dy gjinitë së bashku, është fjala në ahengje, sepse padyshim njerëzit përzihen në treg, e autobus, e në rrugë. Mirëpo është ndryshe në ahengje, e në vend se të kenë gratë nga burrat e huaj dhe burrat nga gratë e huaja dhe të kenë turp e të mos pranojnë të shkojnë, burrat janë burra dhe gratë janë gra.

    Gratë e kanë natyrën e tyre, traditat e tyre, mentalitetin, muhabetin e që u shkon vetëm atyre. Burrat gjithashtu kanë muhabetet dhe mentalitet e gjërat e tyre.

    E tani në vend se të kenë të gjithë turp të përzihen, ata akuzojnë ata që turpërohen dhe thonë se nuk mund të prezantojnë sepse është turp sikurse rasti i motrës. Andaj unë e gjej vendin tek hadithi që përmenda “..të lumtë ata që janë të panjohur.”

    Prandaj i lumtë motrës në fjalë dhe gjithë ato motra e vëllezër të tjerë që e mbajnë dininë. Motër, ti je duke vepruar drejt konform mësimeve fetare, e familja e burrit le të flasin sepse dikur do të ndalojnë. Po nëse nuk ndalojnë duhet duruar për hatër të burrit, për hatrin se janë vjehrrit e tu. Ata nuk flasin 24 orë por kur do të ketë ndonjë aheng, 2-3 ditë para tij se si duhet të shkosh patjetër dhe 3-4 ditë pas se pse nuk erdhe.

    Pastaj e lënë atë punë sepse nuk kanë kohë të merren gjatë me të. Kështu që ti hesht, thuaj: “Ju e dini se pse unë nuk vi, më vjen keq po nuk mundem.”

    Nuk ke nevojë ta marrësh afër zemrës, e as të sillesh vrazhdë me njerëzit. Me njerëzit duhet të sillesh butë dhe mirë, e në veçanti me të afërmit.

    Allahu të forcoftë!

    Dr. Shefqet Krasniqi

    ———————————–

    [1]  Muslimi dhe Ibn Maxhe prej Ebu Hurejres, poashtu Tirmidhiju dhe Ibn Maxhe prej Ibn Mes’udit, pastaj Ibn Maxhe edhe prej Enesit, poashtu edhe Taberaniju nga Selmani dhe Sehl ibn Sa’d dhe Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë.

    [2] Sunen Tirmidhiu, 2260. E saktëson shejh Albani.

  • A prishet abdesi nëse dëgjon muzikë?

    A prishet abdesi nëse dëgjon muzikë?

    Pyetja:

    A prishet abdesi nëse dëgjon muzikë?

    ***

    Përgjigjja:

    Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
    Falënderimi i takon Allahut! Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

    Jo, kjo gjë nuk e prishë abdesin, por ta prish shpirtin dhe zemrën. Allahu e di më së miri.

    Imam dr. Ahmed Kalaja

  • A është pirja, blerja, shitja e duhanit haram?

    A është pirja, blerja, shitja e duhanit haram?

    Pyetja:

    A lejohet pirja, blerja, shitja e duhanit?

    ***

    Përgjigjja:

    Pirja e duhanit është haram, po ashtu edhe shitja, blerja është haram. Po ashtu haram është edhe dhënia me qira e dyqaneve në të cilat person i cili e merr me qira do të shesë duhan apo cigare, sepse e gjithë kjo është ndihmesë në haram. [1]

    Shejh Abdurrahman ibn Sadij ka thënë: “Sa i përket duhanit, pirja e tij, shitblerja e tij dhe ndihmesa në të, që të gjitha këto janë haram dhe është e ndaluar për një musliman ta konsumojë atë apo të bëjë tregti me të dhe kush ka pasur punë me duhan (e ka pirë, ka bërë biznes me të ose e ka blerë për dikë tjetër) duhet të pendohet tek Allahu i Lartësuar me një pendim të sinqertë. Dhe dijetarët e kanë ndaluar konsumimin e duhanit pasi duhani është prej “habaith”, gjërave të këqija dhe të ndyta, dhe është prej shkaktarëve kryesorë të disa sëmundjeve shkatërruese, si: kanceri, tuberkulozi dhe sëmundje të tjera. Po ashtu, konsumimi i duhanit është shkak i shpenzimit të parave duke dëmtuar së pari shëndetit e njeriut, pasurinë e tij dhe po ashtu edhe ata të cilët jetojnë me të (duke thithur tymin e duhanit). Duhani përmban nikotinë, që e vret konsumuesin e tij gradualisht.” [2]

    Allahu i Madhëruar thotë: “Ai u lejon atyre si të ligjshme At-Tajjibe (gjithçka të mirë dhe të ligjshme për besimin, punët, ushqimet dhe sendet) dhe ua ndalon si të paligjshme Al-Habaith (gjithçka të keqe dhe të palejueshme për besimin, punët, ushqimet dhe sendet). (A’raf: 157).

    “Dhe mos e shkatërroni vetveten
    (duke mos e shpenzuar pasurinë në Çështjen e Allahut). (Bekare: 195).

    Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet t’i bësh dëm vetes e as dikujt tjetër.” [3]
    Po ashtu ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu i Madhëruar i urren tri gjëra nga ju: thashethemet, humbjen e pasurisë dhe pyetjet e shumta.” [4]

    Dhe shumë ajete dhe hadithe të tjera, të cilat tregojnë qartë se duhani është haram. Dhe ajo e cila na mjafton në këtë temë është fetvaja e Abdullah El Mushidit, kryetar i Komitetit të Fetvave në Ez’her, të cilin e kanë pyetur: A është haram tregtia me duhan dhe cigare apo është hallall duke pasur parasysh se unë dhe familja ime varemi nga kjo tregti dhe jetojmë prej vitesh nga kjo?

    Dhe është përgjigjur: “Dijetarët kanë thënë se harami është dy llojesh: 1. Haram “Li Dhatihi”, ku për këtë lloj haramesh ka argument të qartë dhe të prerë; 2. Haram “Li Gajrihi”, për të cilin nuk ka ndonjë argument të qartë dhe të prerë, mirëpo ky send apo vepër është mjet i cili të çon drejt shkatërrimit të vetes ose pasurisë apo që të dyjave. Allahu i Lartësuar na ka obliguar që t’i ruajmë ato dhe për këtë shkak duhani dhe cigaret llogariten prej harameve për shkak se ato të çojnë drejt shkatërrimit të trupit dhe po ashtu pasurisë dhe dihet se prej pesë gjërave që na ka obliguar Allahu t’i ruajmë, ato janë edhe vetja dhe pasuria. Dhe ai duhet ta ndryshojë biznesin e tij në ndonjë tregti në të cilën nuk ka haram.”

    Po ashtu, gazeta El Ehram (e cila është gazetë ditore në Egjipt) ka botuar një artikull me titullin “Shansi i fundit për të ikur nga vdekja për shkak të duhanit”. Këtij shansi i dihet vlera pasi njerëzit lexojnë ndonjë artikull për dëmet e duhanit si për meshkujt ashtu edhe për femrat, duke i përfshirë edhe fëmijët në të ardhmen. Duhani është një prej shkaqeve të sëmundjes së kancerit, i cili është shkaktar i vdekjes së 34.000 personave çdo vit duke mos llogaritur 13.000 të tjerë, të cilët vdesin nga sëmundjet e zemrës. Kurse në Francë, sipas statistikave, çdo javë vdes nga një person për shkak të duhanit. Duhani shkakton 10% të numrit të të vdekurve në vit në Francë. Duhet shtuar se duhani është po ashtu shkaktar i kancerit të mushkërive dhe i kancerit të gjinjve te femrat (gazeta el Ehram, Kajro, më datën 19.4.1990).

    Përktheu: Eroll Nesimi

  • A lejohet fustani i bardhë i nusërisë?

    A lejohet fustani i bardhë i nusërisë?

    Pyetja:

    Në kohën e verës si zakonisht bëhen dasmat, dhe harxhohen para të mëdha. A është fustani i bardhë i nusërisë i ndaluar?

    ***

    Përgjigjja:

     

    Po, është e vërtetë se koha verës është koha e dasmave se për një kohë veshët të lodhen nga muzikat, edhe pse ti mund mos kesh dasëm, por duhet t’i dëgjosh muzikat e dasmave të krejt kojshive po edhe të katundit.

    Në dasmat tona, e them me keqardhje, më së paku ka ngjyrë Islame, normalisht duke i patur parasyshë disa përjashtime. Mundohemi për fat të keq t’u përgjasojmë sa ma tepër të huajve, pra jo muslimanëve, a shumë pak interesohemi për qëndrimin Islam ndaj gjërave të tilla.

    Harxhimet janë një kapitull tjetër i zymtë i dasmave tona, ndërkaq nga ana tjetër në vendet tona ka skamje të madhe. Me të vërtetë kontrast i madh, dhe sinqerisht njeriu mbetet pa koment.

    Për sa i përket fustanit të bardhë të nusërisë, parimisht nuk ka pengesë të vesh vajza fustan të bardhë kur shkon nuse.

    Mirëpo, kjo nuk duhet kuptuar pa kushte, pra fjalët e mia nuk kanë të bëjnë me rrethanat tjera që e shoqërojnë fustanin e bardhë në dasmat tona.

    Që të jemë më i qartë, them se ajo që e bëjmë ne në dasma është e pa lejuar, sepse nusja e re me fustan të bardhë prezenton në mes burrave që nuk i ka gjë për nga gjaku sipas normave Islame, poashtu disa fustana të bardhë bëjnë zbulimin e pjesëve shumë të rënda të auretit, që edhe pse bëhet fjalë në mes grave nuk është në rregull të zbulohen.

    Pra, fustanin e bardhë mund ta vesh, por nuk është e lejuar që ai të zbulojë ndonjë pjesë të rëndë të auretit edhe nëse është në mes femrave, poashtu nuk duhet të përzihet me meshkuj apo të dal me atë fustan ku e shohin meshkujt, si dhe nuk duhet ta zgjedh fustanin nga dashuria ndaj ndonjë artisteje apo këngëtareje apo jo muslimaneje tjetër, sepse kalon në ndalesën që e ka Pejgamberi ﷺ që muslimani t’i përgjasojë atij të fesë tjetër.

    Nëse i pëlqen thjesht modeli i cili nuk është në kundërshtim me parimet Islame, nuk ka pengesë që ta qep, edhe nëse e mban ndonji femër jo muslimane, sepse në këtë rast nuk do ta bënte këtë nga dashuria për imitimin e jo muslimanes, por për atë se i pëlqen modeli përkatës.

    Do t’i kisha këshilluar të gjithë që të gjurmojnë pas butiqeve të cilat ofrojnë veshje Islame, e që janë prezente edhe në vendet tona.

    Allahu e di më së miri.

    Mr. Bashkim Aliu

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline