Category: Shëndetësi

  • Barnat dikur të shumëkërkuara, tani me afat të skaduar në barnatoren e QKUK-së

    Barnat dikur të shumëkërkuara, tani me afat të skaduar në barnatoren e QKUK-së

    Në kulmin e pandemisë COVID-19, në vitet 2020 dhe 2021, ilaçi Remdesivir vështirë mund të gjendej në Kosovë, ose duhej të paguhej qindra euro.

    Sot, mijëra pako të tij, me afat të skaduar, gjenden në Barnatoren Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    “Unë nuk kam qenë këtu atëkohë, por është një dhomë me produktin Remdesivir, me rreth 7 mijë njësi”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtoresha e kësaj barnatoreje, Dardane Mehaj.

    Barnatorja Qendrore e QKUK-së furnizon të gjitha barnatoret e klinikave të saj, ndërsa për çështjen e barnave koordinohet edhe me spitalet rajonale.

    Ekipi i REL-it e vizitoi atë në fund të shtatorit, ku pa disa dhoma me barna me afat të skaduar, të vendosura shumë pranë barnave të përdorshme – me vetëm një perde në mes.

    Pavarësisht kësaj gjendjeje, Mehaj siguron se barnat e përdorshme janë të sigurta. Ndërsa, për barnat dhe materialet e tjera medicinale me afat të skaduar, ajo thotë se janë grumbulluar aty tash e gati 15 vjet.

    Sipas Mehajt, sasisë së tyre i kanë kontribuar edhe donacionet e bëra gjatë pandemisë COVID-19.

    “Stoqet që i kemi pasur në klinika, i kemi deponuar këtu. Është një numër i caktuar, nuk mund ta them me shifra. Nuk e di saktë as cilat barna janë, por vlen të theksohet se një produkt, që në kohë të pandemisë ka qenë vështirë të sigurohet, gjendet këtu në stok me afat të skaduar”, thotë Mehaj, duke iu referuar ilaçit antiviral Remdesivir.

    Ajo nuk mund të thotë se përse ky ilaç – dikur i shumëkërkuar – ka përfunduar pa afat në magazinat e barnatores, bashkë me lloje të tjera barnash.

    Ajo që dihet është se Remdesivirin, gjatë pandemisë, qytetarët e Kosovës e kanë blerë vetë nëpër barnatore, me një çmim prej 150 deri në 200 euro.

    Institucionet shëndetësore vazhdimisht hedhin fajin te njëra-tjetra për keqadministrim të barnave.

    Si duhet të asgjësohen barnat me afat të skaduar?

    Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon disa hapa – përfshirë kthimin te prodhuesi, groposjen, zbërthimin kimik dhe djegien – për asgjësimin e sigurt të barnave me afat të skaduar.

    Sipas saj, këto barna “duhet të asgjësohen në mënyrë të sigurt, pa dëmtuar njerëzit dhe mjedisin”.

    Mehaj thotë se barnat pa afat nuk janë tërhequr nga Barnatorja Qendrore e QKUK-së për asgjësim qysh në vitin 2010.

    “Ekzistojnë procedura standarde operative se si një institucion duhet t’i tërheqë ose asgjësojë barnat. Një institucion si QKUK-ja nuk mund ta bëjë vetë një gjë të tillë. Ajo shkon përmes Ministrisë së Shëndetësisë, e cila duhet të hapë një tender për këtë çështje”, thotë Mehaj.

    Në një udhëzim administrativ, të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës qysh në vitin 2008, thuhet po ashtu se Ministria e Shëndetësisë është ajo që kontrollon dhe mbikëqyr administrimin e mbeturinave të produkteve medicinale, të gjeneruara në institucionet shëndetësore publike dhe private.

    Ministria udhëzon edhe për mënyrën e shkatërrimit të mbeturinave të produkteve medicinale, thuhet në dokument.

    E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, kjo ministri tha se ka formuar tashmë një grup punues për asgjësimin e mbetjeve mjekësore.

    “Grupi e ka për obligim hartimin e kritereve për asgjësimin e këtyre mbetjeve medicinale dhe pas përfundimit të kësaj çështjeje, do të fillohet me aktivitetin e prokurimit”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

    Ministria nuk iu përgjigj pyetjeve shtesë të REL-it se kur është formuar ky grup punues, përse barnat me afat të skaduar nuk janë asgjësuar tash e sa vite dhe a paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve grumbullimi i tyre.

    Farmacistja Sabrije Fazliu-Asllani thotë se ruajtja e barnave me afat të skaduar në një vend ku ka edhe barna të përdorshme, bart rrezik për këto të fundit.

    “Barnat e skaduara kontaminojnë ambientin apo vendin ku i lëmë”, thotë ajo.

    Fazliu-Asllani, e cila drejton një barnatore private në Prishtinë, tregon se largimin dhe asgjësimin e barnave me afat të skaduar në institucionet private, e bëjnë kompanitë furnizuese.

    Kosova nuk ka një vend të veçantë publik për asgjësimin e këtyre produkteve.

    Por, Ministria e Mjedisit, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor prej vitesh ka licencuar së paku dy kompani private, të cilat, pos tjerash, janë të thirrura edhe për asgjësimin e mbetjeve medicinale dhe ilaçeve me afat të skaduar.

    Këtë proces ato e kryejnë në furra me temperatura të larta brenda punëtorive të tyre.

    Radio Evropa e Lirë ra në kontakt me pronarin e njërës kompani, i cili tha se, aktualisht, nuk është duke u marrë me punë të tilla, pasi nuk ka pasur ndonjë ofertë ose tender për asgjësim barnash.

    “Para pak vitesh kemi bërë asgjësimin e disa mbetjeve medicinale në një komunë”, tha shkurtimisht ai, pa dhënë më shumë detaje.

    Barnatorja Qendrore e QKUK-së, që udhëheq Mehaj, është e stërmbushur edhe me tavolina pune për stafin, për shkak të mungesës së hapësirave.

    “Jemi shumë ngushtë dhe kjo na krijon probleme. Ne, edhe kur kemi furnizime të rregullta, duhet të koordinohemi për të liruar hapësira”, thotë Mehaj.

    Situata, sidoqoftë, nxjerr në pah një paradoks shqetësues në sistemin e kujdesit shëndetësor të Kosovës, ku pacientët shpesh detyrohen të blejnë barna me paratë e tyre, ndërkohë që barnat e skaduara grumbullohen nëpër barnatore.

    Adresimi i çështjes duket se është kritik për ruajtjen e shëndetit publik.

  • Nga mbrojta e syve te djegia e kalorive, zbuloni vlerat e jashtëzakonshme të farave të specit për shëndetin

    Nga mbrojta e syve te djegia e kalorive, zbuloni vlerat e jashtëzakonshme të farave të specit për shëndetin

    Farat e specit jemi mësuar t’i hedhim në kosh përpara çdo gatimi të perimes. Megjithatë, këto fara bardhoshe kanë të njëjtat vlera si speci vetë.

    Speci dhe farat e tij janë të dobishme kundër sëmundjeve kardiovaskulare dhe mbajtjen e kolesterolit në nivele të ulëta.

    Specat janë të pasur me fibër, proteinë, vitamina dhe minerale si magnezi, fosfori, kaliumi, hekuri dhe kalçiumi.

    Më poshtë gjeni të renditura vlerat e jashtëzakonshme të farave të specit.

    Burim i vitaminës C

    Farat dhe speci janë të pandashëm në përmbajtjen e vitaminës C. Kjo e fundit ndihmon në përthithjen e hekurit në organizëm dhe është një antioksidant i fuqishëm.

    Shëndeti i zemrës

    Sipas të dhënave, specat dhe farat e tyre janë një burim i pasur ushqyesish dhe flavonoidësh.

    Ata parandalojnë mpiksjen e gjakut dhe ulin gjasat e shfaqjes së atakut në zemër apo ishemisë. Kjo është arsyeja përse speci duhet ngrënë me të gjitha farat.

    Shëndeti i syve

    Vlerat e farave të specit janë të mira edhe shëndetin e syve. Farat janë të pasura me vitaminë A që përmirëson shikimin veçanërisht natën.

    Burim i vitaminës C

    Të gjitha llojet e specave, pavarësisht ngjyrës, ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të diabetit, kolesterolit dhe dhimbjeve.

    Farat përmbajnë kapsaicinë, e cila sipas të dhënave të AgroWeb.org është një substancë e jashtëzakonshme mirëbërëse.

    Shëndeti i lëkurës

    Farat duhen konsumuar shpesh, sepse përmbjanë shumë vitaminë E, e cila i jep shkëlqim rinor lëkurës dhe i bën flokët më të fortë.

    Djegia e kalorive

    Nëse jeni duke përgatitur një sallatë me mish pule, përdorni speca bashkë me farë për një shije më të plotë.

    Sallata të tilla me këto përbërës janë të shijshme dhe nuk përmbajnë shumë kalori.

    Të pasur me fibër

    Speci dhe farat e tij janë shumë të pasur me fibër dhe e mbrojnë organizmin nga toksinat dhe bakteret.

  • Ankthi dhe paniku, pse ndodhin?

    Ankthi dhe paniku, pse ndodhin?

    Një sulm paniku vjen papritur dhe të godet në qelizë. Trupi përpiqet ta luftojë por pa sukses. Sulmi i panikut mund të ndodhë edhe kur je në gjumë, pa asnjë arsye në dukje të vlefshme.

    Ndiheni të pashpresë, të humbur dhe mendja ju duket sikur do të ikë. Më poshtë do të zbuloni shenjat që tregojnë se do të kaploheni nga një sulm paniku.

    Shtrëngim në kraharor

    Ndjesia e adrenalinës shton rrahjet e zemrës. Në raste të tilla, përjetohet një shtrëngim dhe dhimbje në kraharor dhe vështirësi të mëdha në frymëmarrje.

    Ndjesia e mbytjes

    Fyti ngushtohet dhe përtypja duket e pamundur. Në disa raste, sulmi i panikut shoqërohet me të përziera dhe të vjella. Këto ndjesi e bëjnë frymëmarrjen të vështirë.

    Frika e fortë

    Në këtë rast nuk po flasim për frikërat e përgjithshme që na vështirësojnë ditën, që ndonëse janë të pabazuara nuk na bëjnë të ndihemi sikur jemi buzë greminës. Në rastet e një sulmi paniku, përjetoni ndjesinë që diçka vërtetë e tmerrshme do të të ndodhë ose do të vdesësh. Pavarësisht se në rrethana normale, e di që kjo nuk është e vërtetë, terrori që ndien në rastet e një sulmi paniku, të pushton në mënyrë të frikshme.

    Marramendje

    Në rastet e një sulmi paniku, bota të vjen rrotull, ose të duket sikur po lundron në hapësirë pa kurrfarë kontakti me ambientin që të rrethon.

    Djersitje dhe ethe

    Kjo është një nga shenjat më klasike të ankthit dhe të sulmit të panikut. Mund të përjetoni djersitje në pëllëmbët e duarve por edhe në krahë, sqetulla e zona të tjera. Për më tepër, mund të keni edhe ethe.

    Dridhje dhe therje

    Në rastet e një sulmi të tillë të dridhet i gjithë trupi. Gjaku rrugëton drejt zemrës dhe muskujve ndërsa përjetoni ndjesinë e therjes ose mpirjes në gishtat e duarve dhe të këmbëve.

    Kohëzgjatja e një sulmi paniku

    Një sulm paniku godet menjëherë dhe arrin kulmin 10 minuta pas shfaqjes së simptomës së parë. Rrallëherë ndodh që sulme të tilla të zgjasin më shumë se një orë. Në shumë raste ato zgjasin 20-30 minuta, por kohëzgjatja nuk është standarde.

    Sulm në zemër

    Simptomat janë të ngjashme: Dhimbje kraharori, vështirësi në frymëmarrje, marramendje, djersitje dhe ndjesia e të mos paturit gjërat nën kontroll. Nëse është hera e parë që përjetoni diçka të tillë, dhe nëse familjarët tuaj kanë pasur probleme me zemrën, ju rekomandojmë të shkoni menjëherë në urgjencë.

    Koha për mjekun

    Nëse keni përjetuar një ose dy sulme të tilla, ndoshta nuk keni nevojë të shqetësoheni. Por nëse sulme të tilla ju ndodhin shpesh, atëherë duhet të takoheni me mjekun për të kuptuar shkaktarët e sulmeve dhe mënyrat e menaxhimit të tyre. Vetëm mjeku mundet të dallojë nëse bëhet fjalë për një sulm paniku apo probleme më të thella me zemrën.

    Shkaktarët

    Sulmi i panikut shpesh ka lidhje me stresin ose me një problem fizik. Një prej tyre është tiroidja e cila prodhon më shumë hormone. Mund të bëhet fjalë edhe për nivele të ulëta të sheqerit në gjak, nivele të larta të kafeinës ose përdorimi i amfitaminës.

    Çrregullimet e panikut

    Nëse jeni të shëndetshëm por sërish vuani nga ky problem, atëherë mund të jeni duke u përballur me një çrregullim paniku. Ky çrregullim kërkon ndryshime të rutinës suaj.

    Zgjidhja

    Hapi i parë është që të kuptoni se çfarë po ndodh. Nëse bëheni të vetëdijshëm që sulmi nuk do të shkaktojë probleme, do të zgjasë pak minuta dhe u ndodh edhe të tjerëve, do të jeni më pak të shqetësuar. Terapitë dhe medikamentet në disa raste mund të ofrojnë shpëtim.

    Marrëdhëniet njerëzore

    Ankthi lulëzon nga vetmia. Takohuni, flisni dhe rrini me miq dhe të afërm. Nëse nuk keni të tillë, përpiquni të bëheni pjesë e klubeve të ndryshme, aktiviteteve ku mund të takoni njerëz me interesa të përbashkëta me të cilët mund të krijoni marrëdhënie të mira shoqërore.

    Gjumi

    Përpiquni të flini 7-9 orë në ditë. Mbajeni dhomën e gjumit të freskët, në errësirë dhe larg zhurmave. Mos shikoni televizor, kompjuter apo telefon përpara se të flini gjumë. Krijoni një rutinë gjumi gjatë gjithë javës, edhe në fundjavë.

    Aktiviteti fizik

    Kryeni të paktën 30 minuta aktivitet fizik në ditë. Do të ndiheni më pak të stresuar dhe gjasat e një sulmi paniku do të përgjysmohen. Ecni, vraponi, notoni, kërceni, alternativat janë të panumërta. Shmangni duhanin, kafeinën dhe alkolin. Këto janë shkaktarë të një sulmi paniku, por edhe mund ta përkeqësojnë atë. Medikamente si ato kundër alergjive, të ftohtit ose ato dietike kanë një efekt të ngjashëm. Konsultohuni me mjekun nëse keni nevojë të ndryshoni diçka në rutinën tuaj.

    Qetësimi

    Meditimi dhe vetëkontrollo ndihmojnë në qetësimin tuaj. Merrni frymë thellë dhe në formë të kontrolluar që të qetësoheni që në fillim të shfaqjes së simptomave të sulmit.

  • Mësoni disa nga ushqimet të pasura me kalcium për fëmijët

    Mësoni disa nga ushqimet të pasura me kalcium për fëmijët

    Është shumë e rëndësishme që nëna të jetë e kujdesshme në dietën e fëmijës së saj pasi sasia e duhur e ushqyerjes në vitet në rritje siguron shëndet të mirë.

    Kalciumi është ndër ushqyesit më të rëndësishëm për fëmijët në rritje. Ndihmon në formimin e kockave dhe gjithashtu ndihmon në ndryshimet e strukturës së kockave gjatë adoleshencës shkruan parenting.fristcry , transmeton GazetaShneta.

    Pse ushqimet e pasura me kalcium janë të rëndësishme për fëmijët?

    Kalciumi është i rëndësishëm për formimin e dhëmbëve të shëndetshëm tek bebet dhe fëmijët e vegjël. Është e mirë për mirëmbajtjen e muskujve dhe ndihmon metabolizëm.

    Ushqimet më të mira të pasura me kalcium për fëmijët

    Ju mund të përfshini ndonjë nga artikujt e mëposhtëm të pasuruar me kalcium në dietën e fëmijës tuaj:

    1) Produkte të qumështit

    Produktet e qumështit si qumështi i lopës, jogurti dhe djathi janë një burim i shkëlqyeshëm. Nëse fëmija juaj nuk ju pëlqen qumështi, mund ta zëvendësoni me kos dhe djathë. Sigurohuni që të përfshini një shërbim të produkteve të qumështit në dietën e fëmijës tuaj.

    2)Portokallët

    Mund t’i jepni fëmijës tuaj frutë portokalli ose lëng portokalli, pasi jo vetëm që është i pasur me kalcium, por ai është gjithashtu me vitaminë C. Një portokall me madhësi mesatare mund të sigurojë 50 mg kalcium për vogëlushin tuaj. Është më mirë të jepni lëng të freskët portokalli sesa të jepni lëng të fortifikuar.

    3)Soje

    Soja është një burim shumë i pasur i Kalciumit dhe mund të shtohet në dietën e përditshme të fëmijës tuaj në formën e qumështit të sojës ose kosit të sojës. Qumështi i sojës është një mundësi e mirë për t’i dhënë fëmijës tuaj nëse fëmija juaj është intolerant ndaj laktozës.

    4) Bajamet

    Bajamet thuhet se rritin fuqinë dhe kujtesën e trurit, por ato janë gjithashtu një burim shumë i mirë i kësaj lëndë ushqyese. Rreth 110 mg kalcium mund të merren nga një e treta e bajameve. Ju mund t’i jepni bajame fëmijës tuaj në formën e gjalpit të bajames.

  • Sëmundjet që lidhen me konsumimin e ushqimeve të përpunuara

    Sëmundjet që lidhen me konsumimin e ushqimeve të përpunuara

    Të konsumosh ushqime të shëndetshme është shumë e rëndësishme për të mbajtur larg lloje të ndryshme sëmundjesh.

    Me përparimin e shkencës është arritur që shumë ushqime të përpunohen me qëllim që të jetojnë dhe të përdoren për një kohë më të gjatë.

    Këto lloj ushqimesh janë të thjeshta për t’u përdorur, pasi shumë prej tyre duan pak kohë për t’u përgatitur.

    Për më tepër, shumë fëmijë por edhe të rritur, janë të dhënë pas ushqimeve të përpunuara, të cilat ngadalë po dëmtojnë shëndetin e tyre.

    Prandaj është e rëndësishme të dini të bëni dallimin midis ushqimeve të shëndetshme dhe atyre të pashëndetshme.

    Për shembull, një zgjedhje e shëndetshme janë ushqimet organike si frutat dhe perimet.

    Arsyeja është se ndryshe nga ushqimet e përpunuara, ato nuk përmbajnë konservues dhe janë të pasura me vlera ushqyese.

    Ushqimet e përpunuara janë një nga shkaqet kryesore të zhvillimit të sëmundjeve të ndryshme që lidhen me obezitetin.

    Kjo është arsyeja se pse kohët e fundit, shumë njerëz u janë drejtuar ushqimeve që nuk përmbajë sheqer ose që kanë 0 kalori.

    Megjithatë në të shumtën e rasteve këto produkte përmbajnë sheqerna të cilët fshihen pas emërtimeve të ndryshme si: mjaltë, shurup, glukozë ose saharozë.

    Gjithashtu ushqimet që nuk përmbajnë kripë ndihmojnë në ruajtjen e një regjimi ushqimor të shëndetshëm, i cili rrallë është i mundur përmes marrjes së ushqimeve të përpunuara.

    Cilat janë sëmundjet më të përhapura që lidhen me konsumin e ushqimeve të përpunuara?

    Një nga sëmundjet më të përhapura në botë në ditët e sotme është diabeti i tipit dy.

    Kjo sëmundje lidhet kryesisht me mbipeshën dhe mënyrën e të ushqyerit.

    Prandaj këshillat e përhershme të ekspertëve, janë që të ushqeheni me ushqime të freskëta në vend të ushqimeve të përpunuara. Në këtë mënyrë do të ruani reziztencën natyrale të insulinës.

    Sëmundjet kardiovaskulare lidhen po ashtu me mbipeshën, diabetin ose kolesterolin e lartë në gjak.

    Arresti kardiak ose rrahjet e shpejta të zemrës shpesh ndodhin si rezultat i ngrënies së ushqimeve jo të shëndetshme.

    Sipas të dhënave të AgroWeb.org, njerëzit që punojnë ulur për një kohë të gjatë, që nuk kryejnë aktivitet fizik dhe konsumojnë më shumë ushqime të përpunuara, janë më të rrezukuarit.

    Një tjetër problem shëndetsor është depresioni dhe ankthi. Ky problem është vënë re veçanërisht tek të rinjtë të cilët konsumojnë sasi të mëdha ushqimesh të përpunuara.

    Si përfundim, konsumi i ushqimeve organike është mjaft i dobishëm për të pasur trup dhe mendje të shëndoshë.

    Mjekët theksojnë shpesh se konsumi i ushqimit të freskët në sasi të vogël është shumë më i mirë se sa konsumi në masë i ushqimeve me shtesa kimike.

  • Si ta dalloni aneminë e shkaktuar nga mungesa e hekurit, ushqimet që ju duhen

    Si ta dalloni aneminë e shkaktuar nga mungesa e hekurit, ushqimet që ju duhen

    Anemia si pasojë e mungesës së hekurit në organizëm manifestohet me një sërë simptomash. Ndjesia e lodhjes pas gjumit, e të ftohtit të vazhdueshëm, ethet dhe plogështia janë disa prej tyre.

    Njeriu mund të ketë mungesë hekuri në organizëm për shkaqe nga më të ndryshmet, ku përfshihet ushqyerja e keqe, sëmundjet kronike, mosha dhe gjinia.

    Trupi e përdor hekurin për të prodhuar hemoglobinë.

    Hemoglobina transferon oksigjenin në të gjithë trupin.

    Mungesa e hekurit nënkupton më pak oksigjen në organizëm dhe fillimin e anemisë.

    Njerëzit më të rrezikuar nga anemia e shkaktuar nga mungesa e hekurit

    Gratë

    Gratë janë më të rrezikuara nga mungesa e hekurit për shkak edhe të ciklit të tyre menstrual.

    Gratë shtatzënë nga ana tjetër kanë nevojë edhe për suplementë të hekurit.

    Të moshuarit

    Me kalimin e moshës, oreksi është gjithnjë në rënie.

    Vaktet pakësohen dhe sasia e hekurit e marrë nga ushqimit gjithashtu.

    Njerëzit që marrin medikamente

    Sipas të dhënave, përdorimi i medikamenteve të ndryshme shteron sasitë e hekurit në organizëm.

    Ilaçet për hollimin e gjakut siç është aspirina, e të tjera si këto kanë efekt negativ sa i përket sasive të hekurit.

    Njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kronike

    Sëmundjet që shkaktojnë humbje të gjakut siç janë ulçera apo tumori i zorrës së trashë, janë shpesh shkaqe të fshehura të mungesës së hekurit.

    Diagnostikimi i anemisë

    Anemia e shkaktuar nga mungesa e hekurit mund të zbulohet falë analizave të gjakut.

    Megjithatë, janë simptomat që vërehen nga vetë pacientët që tregojnë më shumë për sëmundjen.

    Siç e përmendëm, lodhja edhe pas gjumit, të ftohtit të vazhdueshëm, zverdhja e duarve dhe këmbëve, ethet dhe plogështia janë disa prej tyre.

    Si trajtohet mungesa e hekurit në organizëm

    Trajtimi i anemisë së shkaktuar nga mungesa e hekurit nis me përmirësimin e regjimit ushqimor.

    Burime të mira ushqimore të hekurit

    Burime të mira ushqimore të hekurit janë:

    Spinaqi,

    Agrumet,

    Boronicat,

    Gocat e detit,

    Gjalpi i kikirikut,

    Farat e kungullit,

    Fasulet dhe thjerëzat,

    Frutat e thata.

    Sa i përket suplementëve, ato mund të merren vetëm nëpërmjet mjekut.

    Këshillohet që ushqimet e mësipërme t’i shoqëroni me ushqime me vitaminë C, si agrume, speca, luleshtrydhe etj

  • Do ju japin energji dhe do ju mbajnë të ngopur, tre frutat që duhet të hani në mëngjes

    Do ju japin energji dhe do ju mbajnë të ngopur, tre frutat që duhet të hani në mëngjes

    Studime të ndryshme kanë treguar se ngrënia e mëngjesit mund të ndihmojë në stimulimin e metabolizmit. Një mëngjes i shëndetshëm mund të ndihmojë në kontrollin e oreksit gjatë ditës, duke parandaluar mbingrënien ose zgjedhjet e gabuara ushqimore më vonë.

    Tri nga alternativat më të mira të mëngjesit janë këto fruta:

    Mollët: Energjia dhe mbështetja e sistemit imunitar mollët janë një zgjedhje ideale për mëngjes, jo vetëm për shkak të shijes së tyre të këndshme por edhe për përfitimet shëndetësore që ofrojnë. Ato janë të pasura me fibra, të cilat ndihmojnë në kontrollin e oreksit dhe parandalojnë zgjedhjet e keqija ushqimore gjatë ditës. Mollët gjithashtu përmbajnë një flavanoid të quajtur quercetin, i cili ka veti antivirale dhe antibakteriale, duke ndihmuar në forcimin e sistemit imunitar.

    Portokallë: Vitaminë C dhe shëndeti i zemrës portokajt janë burime të shkëlqyera të vitaminës C, e cila është thelbësore për imunitetin dhe shëndetin e zemrës. Gjithashtu, këto fruta ofrojnë një sasi të mirë të fibrave dhe kaliumit, duke ndihmuar në mbajtjen e një tensioni të shëndetshëm të gjakut. Antioksidantët dhe fitonutrientët që gjenden në portokajt kanë veti antinflamatore dhe detoksifikuese, të cilat janë të dobishme për të parandaluar sëmundje kronike.

    Kivi: Hidratim dhe Fibra Kivi, edhe pse më pak i njohur se mollët dhe portokalli, është një frut fantastik për mëngjesin. Ky frut është i pasur me vitaminë C, e cila është jetike për forcimin e imunitetit. Gjithashtu, kivi ofron një sasi të mirë të fibrave, të cilat janë të dobishme për tretjen dhe ndihmojnë në rritjen e ndjesisë së ngopjes. Përmbajtja e lartë e ujit në kivi gjithashtu kontribuon në hidratimin e trupit, i cili është veçanërisht i rëndësishëm në mëngjes pas një periudhe të gjatë pa ujë gjatë natës.

    Këto tri fruta, mollët, portokajt dhe kivi, ofrojnë një kombinim të shkëlqyeshëm të shijes, energjisë dhe përfitimeve shëndetësore për të filluar ditën tuaj. Një mëngjes i pasur me këto fruta jo vetëm që ndihmon në një ditë të fortë përpara por edhe kontribuon në një rutinë më të shëndetshme ushqimore në afat të gjatë, duke ulur rrezikun e sëmundjeve kronike si diabeti dhe sëmundjet e zemrës.

  • Vlerat e mollëve në shëndet

    Vlerat e mollëve në shëndet

    Angelzët thonë se “një mollë në ditë i thotë mjekut ik” e këtë e mbështesin edhe ekspertët e shëndetit.

    Mollët janë një nga frutat më me shumë varietete dhe vlera e janë të përhapura në të gjithë botën.

    Mund të konsumoni më shumë se 100 varietete të tyre dhe të merrni menjëherë një dozë të plotë vlerash.

    Një studim i publikuar së fundëmi në revistën Harvard Health, tregon mbi të dhënat domethënëse që ekspertët kanë gjetur për mollët dhe shëndetin.

    Vlerat e mollëve në shëndet

    Konsiderohen si fruit më i mirë i sezonit dhe ekspertët paraqesin të dhëna për këtë.

    Një studim që përfshiu 8.400 persona ku 753 prej tyre ishin konsumues të një molle në ditë tregoi mbi vlerat direkte të mollëve në shëndet.

    Ata që konsumonin shumë mollë kishin marrë shumë herë më pak medikamente për sëmundje të ndryshme gjatë jetës së tyre se të tjerët.

    Ky grup personash gjithashtu kishin më pak gjasa të kishin shqetësime të shkonin tek mjeku se personat e tjerë pjesëmarrës në studim.

    Të dhëna të tjera mbi mollët tregojnë se vlerat e tyre arrjnë të forcojnë edhe shëndetin e zemrës.

    Konsumimi i një molle në ditë mund të ndihmojë në uljen e presionit të gjakut, kolesterolit dhe inflamacionit në trup.

    Edhe nëse i konsumoni bashkë me lëkurë mollët ju dhruojnë shumë fibër dhe polifenole të cilat i bëjnë mirë zemrës.

    Mollët më të mira shqiptare

    Shqipëria është një nga vendet që prodhon mollë cilësore, bio dhe të shijshme në disa rajone të saj.

    Sipas të dhënave të AgroWeb, varietetet që prodhohen më së shumëti në vend janë dy derivatet e Red Delicious, Red Chief dhe Starking.

    Të dyja janë të referuara lokalisht si “Starking” madje përbëjnë 52% të pemëve drurëve frutorë e më pas vijnë mollët e varietetit Golden Delicious që përbëjnë 42%.

  • Pacientët në QKUK në lista pritjesh nga viti 2020

    Pacientët në QKUK në lista pritjesh nga viti 2020

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës është e mbingarkuar me rreth 10.000 pacientë që lëngojnë në lista të pritjes për shërbime thelbësore mjekësore.

    Zyra e Auditorit Kombëtar gjeti se pjesa më e madhe e tyre endet në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, pasuar nga Ortopedia, Oftalmologjia, Kardiologjia, Radiologjia dhe Kardiokirurgjia.

    Pritja mesatare atje arrin në gati tre vjet, sipas raportit të Auditorit, që u publikua në fund të muajit të kaluar.

    Auditori e hodhi përgjegjësinë te Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), duke thënë se këto institucione nuk kanë arritur t’i krijojnë kushtet e nevojshme për trajtimin në kohë të pacientëve.

    Ministria nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment, ndërsa SHSKUK-ja tha se pritjet e gjata do të vazhdojnë edhe për një kohë.

    Sipas Auditorit, situatës së tillë i kontribuon mungesa kritike e personelit mjekësor, e sidomos anesteziologëve, e cila çon në shtyrjen e operacioneve.

    Katër vjet pritje

    Kujtimit – nga Deçani, pjesa qendrore e Kosovës – iu desh të priste më shumë se tre vjet për të operuar venat në njërën këmbë.

    Radio Evropa e Lirë bisedoi me të më 9 shtator – ditën kur ishte shtrirë në Kirurgjinë Vaskulare për t’iu nënshtruar operacionit.

    Se sa urgjent ishte rasti i tij, tha se nuk e dinte, por se “pritja ishte e lodhshme”.

    “Ndoshta do të shkoja në ndonjë institucion privat, por nuk i kisha mundësitë. Sistemit publik, po ashtu, i besoj më shumë”.

    Ndërhyrja në vena në spitalet private në Kosovë kushton së paku një mijë euro, ndërsa në QKUK ky shërbim nuk paguhet.

    Në Kirurgjinë Vaskulare të QKUK-së, auditori gjeti edhe raste të pacientëve të regjistruar në listë të pritjes në janar të vitit 2020, të cilët u operuan në prill të vitit 2024.

    Drejtori i klinikës, Hajriz Rudari, numëron dy arsye për këtë: mungesën e anesteziologëve dhe të shtretërve.

    Rastet që presin më gjatë, sipas tij, janë ato me probleme në vena, e që, siç thotë, janë më të lehta.

    “Në klinikën tonë trajtohen sëmundje të ndryshme, përfshirë problemet arteriale, problemet venoze, e shto këtu edhe patologjinë e shputës diabetike. Ne jemi i vetmi vend në Kosovë, ku merremi me problemet dhe komplikimet e shputës diabetike. Shputa diabetike kërkon trajtim të gjatë në klinikë dhe [mungesa e shtretërve] – përveç mungesës së anesteziologëve – është arsyeja përse krijohen lista të gjata pritjeje”, thotë Rudari për Radion Evropa e Lirë.

    Në klinikën që udhëheq ai, janë 24 shtretër për të gjitha llojet e patologjive.

    Sipas stafit, aty mund të pranohen çdo ditë pune nga 24 pacientë, me kusht që ata pacientë të lirohen një ditë pas pranimit.

    Por, kjo është e pamundur të ndodhë, pasi një pacient qëndron në klinikë, mesatarisht, pesë ditë.

    Të dhënat e klinikës nga vitet 2019-2023 tregojnë se aty, çdo muaj, janë trajtuar mesatarisht 106 pacientë.

    Pse anesteziologët janë problem?

    QKUK-ja ka Klinikën e Anesteziologjisë, prej nga specialistët e kësaj fushe angazhohen në sallat operative dhe jooperative të të gjitha klinikave, e që gjithsej janë 32.

    Anesteziologjia ka, aktualisht, 48 anesteziologë.

    Sipas udhëheqësve të saj, numri është i pamjaftueshëm për t’i mbuluar në kohë të gjitha kërkesat.

    “Vështirësitë shtohen edhe për shkak të angazhimit të tyre në kujdestari të shpeshta – çdo të gjashtën ditë e herë-herë edhe çdo të tretën”, thotë drejtori Gazmend Spahija për Radion Evropa e Lirë.

    Kjo klinikë, prej vitesh, përballet me numër të reduktuar të anesteziologëve.

    Shumë prej tyre kanë kaluar në institucione private ose kanë migruar jashtë vendit, kryesisht në shtete të BE-së.

    Deri më tash këtë vit, janë larguar dy, sipas Odës së Mjekëve të Kosovës. Ndërsa, në periudhën 2019-2023 janë larguar 29.

    Përveç anesteziologëve, janë edhe specialistë të tjerë që largohen nga QKUK-ja.

    Sipas Odës së Mjekëve, në pesë vjetët e fundit janë larguar gjithsej 142.

    Nga kjo odë thonë se arsyet e atyre që largohen, lidhen me kushtet jo të mira në QKUK dhe pagat, vlera bazë e të cilave sillet rreth 1.200 euro.

    Radio Evropa e Lirë arriti të bjerë në kontakt me një anesteziolog që është larguar para një viti nga QKUK-ja, por nuk deshi të identifikohej dhe të jepte hollësi për institucionin ku është i angazhuar tani.

    “Për një punë të madhe në QKUK, ti paguhesh aq sa paguhen edhe të tjerët që bëjnë punë shumë më të vogla”, tha shkurtimisht ai.

    Në raportin e Auditorit thuhet se SHSKUK-ja, që mbikëqyr QKUK-në dhe shtatë spitalet rajonale të Kosovës, ka zhvilluar gjatë viteve 2019-2023 dy procese të rekrutimit të anesteziologëve.

    Sipas raportit, atëkohë janë rekrutuar vetëm 23 syresh, që do të thotë se nuk janë zëvendësuar të gjithë mjekët e larguar.

    Udhëheqësit e SHSKUK-së thonë se Klinika e Anesteziologjisë ka nevojë për së paku 100 anesteziologë, në mënyrë që shërbimet të ofrohen në kohë.

    Sipas drejtorit Elvir Azizi, mungesa e tyre do të vazhdojë edhe për një kohë.

    Vitin e ardhshëm, specializimin në anesteziologji pritet ta përfundojnë mbi 15 mjekë, por se nuk është e sigurt nëse të gjithë ata do të shërbejnë në sistemin publik, sepse disa e kanë vetëfinancuar aftësimin dhe kanë të drejtë të zgjedhin.

    “Mendoj se me një organizim pak më të mirë mund të ketë përmirësime. Jemi duke punuar në këtë drejtim”, tha Azizi në një mbledhje të bordit të SHSKUK-së që u mbajt javën e kaluar.

    Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, në bashkëpunim me SHSKUK-në, bën planifikimin e burimeve njerëzore.

    Por, kjo ministri nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it në lidhje me gjetjet e Auditorit.

    Problemet e tjera

    Përveç mungesës së anesteziologëve, klinikat me lista të gjata pritjesh kanë edhe mangësi të tjera – Oftamologjisë, për shembull, për një kohë i kanë munguar thjerrëzat, ndërsa Ortopedisë protezat.

    Shërbimi publik shëndetësor i Kosovës përcillet me sfida të tilla që nga paslufta.

    Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët edhe për mungesë të gjërave bazike – nisur nga çarçafët deri te sapunët, apo për të sëmurë me kancer që marrin kimioterapi në salla të improvizuara të QKUK-së.

    Derisa kritikët flasin për keqmenaxhim, janë pacientët ata që bartin barrën e këtyre krizave./Radio Evropa e Lirë

  • Djersitja e tepërt, shkaqet dhe rreziqet

    Djersitja e tepërt, shkaqet dhe rreziqet

    Ekzistojnë disa shkaqe mjekësore përveç vapës së tepërt se përse trupi reagon në këtë mënyrë. Disa nga këto arsye janë:

    Gjëndra tiroide– hiperaktiviteti i gjëndrës tiroide mund të jetë shkak i djersitjes së tepërt. Në këtë rast metabolizmi fillon i përshpejton proceset e tij.

    Sëmundjet kronike- sëmundjet e zemrës apo mushkërive mund të jenë një arsye tjetër që ju djersiteni shumë. Vështirësitë, që trupi ka ne funksionimin normal, shkakton faza djersitjeje të mëdha.

    Hiperhidroza– është një arsye tjetër që shkakton djersitjen e tepërt. Në këtë rast gjëndrat e djersitjes janë shumë aktive dhe prodhojnë djersë vazhdimisht.

    Një nga mënyrat e duhura për të shmangur djersitjen e tepërt është përdorimi i ushqimeve të duhura, duke përfshirë perimet, vajin e ullirit, bananet, frutat si dhe në përgjithësi ushqimet që përmbajnë fibra dhe vitamina.