Category: Zeqati

  • ZEKATI NË ISLAM

    ZEKATI NË ISLAM

    E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë. (Bejine:5)

    O ju besimtarë jepeni zekatin…

    Allahun e falemenderojmë i cili e bëri obligim dhenien e zekatit , ndërsa slavatet përshëndetjet qofshin mbi Muhamedin salallahu alejhi ve selem i cili ishte bujari dhe dorëdhënësi më i madh në mesin e gjithë krijesave.

    I nderuari vëlla musliman, e nderuara motër muslimane, në këto rrjeshta do të shpjegojmë shkurtimisht rëndësinë e zekatit në islam, për pozitën e tij, rrezikun e mosdhënies së tij dhe për urtësinë e dhënies së tij. Këtë e bëjmë pasi që shumica e muslimanëve tregohen të pakujdesshëm ndaj këtij adhurimi, ku si pasojë e mosdhënies së tij vuan shoqëria muslimane e sidomos të varfurit madje njëkohësisht humbë edhe bereqeti i pasurisë. Prandaj të kemi kujdes mirë se si sillemi me këtë shtyllë të madhe të islamit, ku gjithashtu këtu parashtrohet pyetja ndaj çdo të pasuri: vallë a e ke dhënë zekatin e pasurisë tënde?

    A – Çfarë është zekati?

    Zekati është adhurim-ibadet i obliguar për Allahun duke shpenzuar një pjesë të pasurisë së caktuar nga ligji islam, më mall të caktuar, në kohë të caktuar, ndaj grupeve të caktuara, me kushte të caktuara. Prandaj jepe zekatin ngase do të shohësh se çfarë pozite ka zekati në islam.

    1 – Zekati është shtylla e tretë e islamit, një ndër shtyllat fundamentale të islamit, duke u bazuar për këtë në hadithin e Abdullah ibn Omerit-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë së i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:” Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarje në haxh.” Kurse në transmetimin e Muslimit qëndron:” Islami qëndron mbi pesë gjëra: Të adhurohet Allahu dhe të mohohet çdo adhurim jashtë tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, shkuarja në haxh, agjërimi i Ramazanit.[1]

    2 – Zekati është cekur në Kuran bashkë me namazin, në shumë vende të Kuranit, ai është cekur në 107 ajete kurse në 82 prej tyre i shoqëurar bashkë me faljen e namazit, faktë i cili tregon për pozitën e madhe të tij tek Allahu, thotë Allahu i Lartësuar:” Faleni namazin, jepeni zekatin dhe bini në ruku me ata të cilët bien në ruku.[2]

    B – Ndërsa në vijim do të cekim rrezikun e mosdhënies së zekatit:

    1 – Kurani dhe suneti tregojnë për dënimin e rëndë për mosdhënien e tij, prej të cilit dënim rrënqethet lëkura e rrjedhin lot nga sytë e besimtarit, thotë Allahu i Madhëruar:” Dhe ata që grumbullojnë pasuri në ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë në rrugën e Allahut, jepu sihariq për dënim të dhimbshëm. Atë ditë kur ajo(pasuri e deponuar) fërgohet në prushin e xhehenemit, e me të(ashtu zharavë) lyhen ballët, anët dhe shpinat e tyre (do t’u thuhet): Kjo është ajo që e depozituat për veten tuaj, pra shijoni atë që e depozitonit![3] Kurse në suren Ali Imran Allahu thotë:” Ata të cilët bëjnë kopraci me atë që nga të mirat e veta u dha Allahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çfarë bënë në koprraci, në ditën e kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. E Allahut i mbesin në trashëgim qiejt e toka, Allahu është i njohur mirë për atë që ju veproni.[4]

    Ebu Hurejra-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:”Asnjë pronar i arit dhe i argjendit (të hollave), që nuk i përmbush detyrimet e veta, nuk do të mbetet në Ditën e Gjykimit pa u farkuar me pllaka të zjarrta, që do të nxehen në zjarrin e Xhehenemit, dhe me të do të gërkohen, lyhen anët e tij, balli, kraharori dhe shpina e tij, dhe çdo herë që pllakat ftohen do të nxehen përsëri. Kjo do të jetë në di­tën që do të zgjasë pesëdhjetë mijë vjet, në të cilën do të zba­tohet gjykimi në mes njerëzve, robërve dhe kur do t’i tregohet çdo­kujt rruga për në Xhenet ose në Xhehenem.” Të pranishmit thanë: “O i Dërguari i All-llahut, çfarë do të bëhet me devetë, pasu­ri­në e njeriut?”  – i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha: “Edhe asnjë pronar i deves, që nuk i kryen detyrimet e veta, e prej tyre mjeljen e saj ditën kur ajo shkon të pijë ujë. Çdo pronar që nuk i kryen detyrimet e veta ndaj deves, në Ditën e Gjykimit do të shtrihet në një vend të rrafshtë dhe të gjerë, aq sa dy devetë e tij do të mund ta shkelin me thundrat dhe ta kafshojnë me dhëmbët e tyre. Kurdo që njëra prej tyre të kalojë mbi të, tjetra kthehet tek ai, dhe ky mundim do të zgjasë një ditë, gjatësia e së cilës është sa pesëdhjetë mijë vite, derisa të mbarojë gjykimi në mes robërve, dhe kur do t’i tregohet çdokujt rruga për në Xhenet apo Xhehenem.” – Të pranishmit thanë: “O i Dërguari i All-llahut, çfarë do të bëhet me lopët dhe de­let?” – i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha: “Çdo pronar i lopëve ose deleve, i cili nuk i kryen detyrimet e veta ndaj tyre, në Ditën e Gjykimit do të je­të i shtrirë në një vend të rrafshtë nga lopët dhe delet e veta, dhe ato me brirët e tyre do ta therin dhe me thundrat e tyre do ta shke­lin, e në mesin e tyre nuk do të ketë me brinjë të kthyer prapa, apo pa brirë e as me brirë të thyer. Kurdo që të kalojnë të parat, menjëherë pas tyre vijnë dhe kalojnë të tjerat. Dhe kjo do të jetë në një ditë, e cila do të zgjasë sa pesëdhjetë mijë vite, derisa t’u shqiptohen gjykimet robërve dhe derisa të mos u tregohet rruga për në Xhenet apo Xhehenem.” Të pranishmit thanë: “O i Dërgua­ri i All-llahut, si do të veprohet me kuajt?” – Edhe për këtë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, u përgjigjë duke thënë: “Kaloria ndahet në tri lloje: Për dikë do të jetë barrë, për dikë mbulesë dhe për dikë shpëtim. Sa i përket atij, për të cilin është barrë, është ai që i mban kuajt për shkak të namit, kryelar­të­sisë apo garave kundër muslimanëve. Për të tillin kali është barrë. Sa i përket atij, për të cilin është mbulesë, është ai që mban kuaj në rrugën e Allahut, dhe nuk i harron detyrimet ndaj All-llahut dhe kujdeset për ta. Për njeriun e këtillë, kali është mburojë nga zja­rri i Xhehenemit. Sa i përket atij, për të cilin është shpëtim, është ai, që mban kuajt për hir të Allahut dhe muslimanëve, i cili i kullot në livadhe dhe kopshte, gjithë atë që kalorësit dhe kuajt e tyre e hanë në kullosa dhe ara, do të shkruhet aq numër i të mirave. Gjithashtu për çdo shërbim të tyre, të madh dhe të vogël, do të shkruhen të mira. Çdo kalim i distancës dhe hypja mbi një e më shumë lartësira do t’i shkruhen të mira, në numrin e gjurmëve dhe hedhurinave të tyre. Çdo kthim i kalit nga ana e pronarit në lu­menj dhe burime, në të cilat i jep ujë, i shkruhen të mira aq sa herë kali do të pijë ujë.” Të pranishmit i thanë: “O i Dërguari i All-lla­hut, e si do të jetë me gomarët?” – i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha: “Mua nuk më është shpallë asgjë e posaçme për gomarët, përveç ajetit të për­gjithshëm e universal: “Ai që punon mirë, sa grimca e sheh atë. Por, edhe kush punon keq, sa grimca do ta shohë.”[5][6]

    Xhabir ibn Abdullahu-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell në hadithin e Ebu Hurejrës-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, si në vijim:” Çdo person i cili nuk e jep zekatin e pasurisë së tij në ditën e gjykimit ajo do ti bëhet gjarpër helmues, i cili e ndjek nga do që të kthehet, i thuhet: Kjo është pasuria yte për të cilën ishe koprac, kur e sheh se nuk ka çfarë të bën atëherë e fut dorën e tij në gojë dhe e gëlltit ashtu siç bën demi.[7]

    Ebu Hurejra-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thote: i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:” Kujdo që Allahu i jep mall dhe ky nuk e jep zekatin e tij, në ditën e gjykimit ajo do të bëhet gjarpër helmues me dy njolla të zeza mbi sytë e tij, do ta rrethojë qafën e tij dhe do ta kap për faqet e tij dhe do ti thotë: Unë jam pasuria yte, thesari yt. E pastaj lexoj ajetin:” Ata të cilët bëjnë kopraci me atë që nga të mirat e veta u dha Allahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë në koprraci, në ditën e kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. E Allahut i mbesin në trashëgim qiejt e toka, Allahu është i njohur mirë me atë që veproni.” Kurse në një transmetim tjetër qëndron:” Thesari i pasurisë tuaj ditën e gjykimit do të jetë gjarpër helmues, nga i cili do të ik poseduesi i tij, ndërsa ai do ta ndjek dhe do ti thotë: Unë jam thesari yt, pastaj thotë: Për Allahun do ta ndjek derisa ta zgjas dorën e tij dhe ta përbij me gojë.

    Ebu Dheri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: Isha duke e mbri të Dërguarin e Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i cili ishte i ulur nën hijen e Qabes e kur më pa tha:” Ata janë të shkatëruarit pasha Zotin e Qabes!” – Unë iu afrova dhe u ula e pranë tij dhe i thashë:” O i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, babën dhe nënën e flijofshma për ty, kush janë ata? – Tha:”Janë ata të cilët kanë shumë pasuri përpos atij i cili jep në çdo anë para, prapë, djathtas, majtas e këta janë të paktë, çdo pronar i devesë, lopës, dhenve i cili nuk e jep zekatin në ditën e gjykimit ato (kafshët) do tu vijnë më të trasha se sa kanë qen dhe do ti shpojnë me brirët e tyre dhe do ti shkelin me thundrat e tyre, sa e kryen njëra vjen tjetra në radhë kështu veprojnë derisa të gjykohen njerëzia.[8]

    Madje besimtari duhet ta di se atë që e jep nga pasuria e tij si obligim, ajo nuk ia pakëson pasurinë e tij, pasi që ka thënë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të:” Nuk pakësohet malli nga dhënia e sadakasë, Allahu atë i cili fal e bën krenar, e atë që bëhet modest për Allahun, Allahu e ngrit atë.[9]

    Poashtu për atë që jep i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:” Jep apo shpenzo, mos u bën koprac që Allahu të mos të të jep ty, mos grumbullo që Allahu të grumbullon kundra teje.” Kurse në Buhari qëndron me tekst:” Mos u bën koprac që Allahu ty mos të të jap.[10]

    C – Urtësia e dhënies së Zekatit:

    Gjithashtu me anë të zekatit arihet që: të forcohen marëdhëniet ndërmjet të pasurit dhe të varfërit, rruajtja e vetes nga kopracia, shoqëria islame bëhet si një familje e përbashkët, dhënia e zekatit i ndalon krimet në shoqëri, bëhet shkak për zbritjen e mirësive dhe largimin e fatkeqësive, bazuar në hadithin e Abdullah ibn Omerit-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në të cilin thuhet:” Ata të cilët nuk e japin zekatin e pasurisë së tyre ju ndalet shiu nga qielli, sikur mos të ishin kafshët tjera Allahu nuk do të lëshonte shi.[11] Zekati e nxit të varfurin për të bërë mirë ndaj tjerëve, dhënia e zekatit dhe sadakasë është kryerja më e madhe e nevojave të njerëzve dhe ju ndihmon atyre për tu ballafaquar me krizën e rriskut, madje llogaritet si mbuluese në dunja dhe në ahiret ngase ndihmon në kryerjen e nevojave të nëvojtarëve dhe ndihmëse për ata të cilat janë ngushtë dhe në vështirësi. E këtë e dëshmon edhe hadithi i transmetuar nga Aliu-Allahu qoftë i kënaqur prej tij se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu ka detyruar muslimanët e pasur të japin një pjesë nga pasuria e tyre sipas nevojave të të varfërve të tyre. Të varfërit nuk do të vuajnë kurrë nga uria apo mungesa e veshmbathjes, derisa të pasurit të mos e neglizhojnë detyrimim e tyre. Nëse veprojnë kështu, Allahu me siguri do tu kërkoj llogari dhe do ti dënoj ashpër.[12]

    Andaj pas gjithë kësaj mendo mirë se vallë tash e tutje a do ta japësh zekatin apo jo?

    Si përfundim është fjala:”çdo pasuri mall është i Allahut”, andaj jep nga ajo që të ka dhënë Allahu.

    Lutja jonë e fundit është i tërë falemenderimi i takon Allahut Zotit të botrave.

     

    Përgatiti: Nexhat Ceka

     

    [1] Mutefekun alejhi Buhariu nr.8, Muslimi nr.16.

    [2] Bekare:43.

    [3] Teube:34-35

    [4] Ali Imran:180

    [5] Mutefekun alejh Buhariu nr. 1402, Muslimi nr. 987,988

    [6] Zelzele:7-8

    [7] Transmeton Muslimi nr. 28

    [8] Mutefekun alejh, Buhariu nr. 1440, 6638, Muslimi nr. 990

    [9] Transmeton Muslimi nr. 2588

    [10] Mutefekun alejh Buhariu nr. 1433, Muslimi nr. 1029

    [11] Transmeton Ibn Maxhe nr. 4019, Hakimi i cili hadithin e bën të saktë me këtë pajtohet edhe Dhehebiu 4/540, po ashtu Albani e ka bërë të saktë në “Sahih Ibn Maxhe” 2/370

    [12] Transmeton Taberaniu në librin “El-Ausat” dhe “Es-Sagir”

  • ZEKATI I FITRIT

    ZEKATI I FITRIT

    1. Zekati i fitrit bën pjesë në adhurimet dhe veprat e mëdha që myslimanin e afrojnë tek Allahu, kjo për shkak të lidhshmërisë që e ka zekati i fitrit me agjërimin e Ramazanit, të cilin Allahu ia dedikoi vetes në shenjë nderimi dhe madhështie.
    2. Zekati i fitrit është lëmoshë që detyrohet të jepet me mbarimin e agjërimit të Ramazanit, dhe fjala ‘zekat’ iu shtua fjalës ‘fitër’, sepse ndërprerja e agjërimit u bë shkak që të jepet zekati.
    3. Zekati i fitrit u detyrua për dy shkaqe:

    Shkaku i parë: Të jetë për agjëruesin pastrim nga gabimet dhe fjalët e ndyta. Vekia ibën el-Xherah tha: “Zekati i fitrit për muajin e Ramazanit është si dy sexhdet e harresës për namazin, i plotëson mangësitë në agjërim ashtu si e plotësojnë sexhdet mangësinë në namaz.”

    Shkaku i dytë: Zekati i fitrit është ushqim për të ngratët në Ditën e Bajramit.

    1. Atë që e synon zekati i fitrit është të shpenzohet për të ngratët dhe të varfrit nevojtarë, që ata të mos ndiejnë nevojë për të lypur apo për t’ua shtrirë dorën të tjerëve për Bajram, kjo ditë është ditë feste dhe gëzimi, e t’ia shtrish dorën tjetrit për Bajram është përbuzje dhe nënçmim.

    Ibën Abasi h tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ e detyroi dhënien e zekatit të fitrit si pastrim për agjëruesin nga gabimet dhe fjalët e ndyta dhe ushqim për të ngratët.”[1]

    1. “I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!” (El-A’la: 14-15); në këto vargje të sures El-A’la, ku thuhet se Allahu për qëllim e ka zekatin e fitrit.

    Përcillet se Omer ibën Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, ajetet i komentoi duke thënë: “E dha zekatin e fitrit e më pas doli për në namaz (namazin e Bajramit).”

    1. Zekati i fitrit i obligohet çdo myslimani. Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur nga ata të dy, përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ nxjerrjen e zekatit të fitrit ia detyroi çdo myslimani, i lirë apo skllav, mashkull apo femër.[2]
    2. Nxjerrja e fitrave i detyrohet çdo myslimani, agjëroi apo nuk agjëroi, fëmijë apo i madh, madje edhe për fëmijën që është në djep dhe për gruan që gjatë muajit të Ramazanit nuk e agjëroi asnjë ditë për shkak të lehonisë.
    3. Për fëmijën që është në barkun e nënës zekati i fitrit nuk detyrohet të jepet, por pëlqehet dhe dijetarët janë unikë në mes tyre për këtë rregull.
    4. Nxjerrja e zekatit të fitrit detyrohet kur perëndon dielli në ditën e fundit të Ramazanit, andaj kush martohet apo i lind fëmijë apo e pranon Islamin para se të perëndojë dielli, e ka për detyrë ta japë atë e, nëse ndodhin pas perëndimit të diellit, atëherë nuk detyrohet.
    5. Kush vdes para se ta arrijë kohën e nxjerrjes së zekatit të fitrit, për të nuk jepen fitrat, kurse ai që vdes pasi të hyjë koha e nxjerrjes dhe ende nuk e ka nxjerrë zekatin e fitrit, për të e japin trashëgimtarët e tij nga pasuria e tij, sepse ajo i është bërë detyrim dhe i ka mbetur si borxh.
    6. Zekati i fitrit nuk ka nisab[3], kriteri për ta dhënë zekatin e fitrit është që kush posedon ushqim më tepër sesa që është i mjaftueshëm për veten dhe familjen e tij, për në ditën dhe në natën e Bajramit, detyrohet ta japë zekatin e fitrit.
    7. Myslimani zekatin e fitrit e jep për veten dhe e jep për ata që është i detyruar të shpenzojë.[4] Pra, e jep për veten dhe për gruan, edhe nëse ajo ka pasuri, për fëmijët dhe prindërit e tij të varfër, dhe për vajzën e fejuar që ende nuk ka shkuar te burri i saj.
    8. Nëse fëmija ka pasuri, në këtë rast prindi nuk detyrohet që ta japë zekatin e fitrit për të.
    9. Kur burri e divorcon gruan dhe divorci është kthyes, d.m.th. është hera e parë apo e dyta që e ndan, zekatin e fitrit për gruan e jep burri i saj[5], kurse, nëse divorci është i përhershëm, d.m.th. e ka divorcuar tri herë, atëherë gruaja e jep për veten e saj.
    10. Fëmija nuk e ka për detyrë që ta japë zekatin e fitrit për gruan e babait të tij të varfër (njerkën), ngase obligimi i shpenzimit për gruan e babait nuk bie mbi të.
    11. Fëmija përderisa ka mundësi financiare, e jep vetë zekatin e fitrit për veten e tij. Nëse edhe prindi i tij e jep për të, nuk është problem dhe nuk dëmton gjë e, në veçanti, nëse prindi është mësuar që për çdo vit ta japë zekatin e fitrit për fëmijët, edhe pse janë të rritur dhe të punësuar, ai prapë dëshiron që ta vazhdojë këtë traditë të tij.
    12. Nëse dëshiron dikush që zekatin e fitrit ta japë për dikë që nuk e ka detyrim ta japë për të, patjetër e ka të marrë leje prej tij.
    13. Pronari i punëtorisë nuk detyrohet që ta japë zekatin e fitrit për shërbëtorin apo punëtorin e tij, mirëpo nëse e jep vullnetarisht për të, nuk është problem, vetëm se duhet ta lajmërojë atë paraprakisht që ta bëjë nijetin, ngase zekati i fitrit është adhurim dhe në adhurim patjetër duhet nijeti.
    14. Ai që vullnetarisht kujdeset për jetimin, nuk detyrohet ta japë zekatin e fitrit për jetimin, kurse nëse jetimi posedon pasuri të veten, zekatin e fitrit e jep vetë jetimi nga ajo pasuri e, nëse nuk posedon pasuri, atëherë obligimi i zekatit të fitrit për jetimin bie mbi të afërmin e tij që fetarisht detyrohet të shpenzojë për të.
    15. Sasia e zekatit të fitrit është një sa’a[6] nga ushqimi. Argument është hadithi që e përcjell Ebu Seid el-Hudrij h ku thotë: “Në kohën e Profetit ﷺ zekatin e fitrit e jepnim një sa’a nga ushqimi.”[7]
    16. Me sa’a për qëllim këtu është një enë mase që e përcaktoi Profetit ﷺ dhe që është e barasvlershme me aq sa zënë katër grushta me të dyja duart e një burri shtatmesatar.
    17. Rëndesa dallon sipas sojit të ushqimit që sa’a mbushet me të. Kur të jepet një soj i ushqimit me rëndesë për zekat të fitrit, patjetër të vërtetohet se a është e barasvlershme me të njëjtin soj të ushqimit të matur me sa’a, si p.sh. orizi përafërsisht duhet të rëndojë diku tre kilogramë.
    18. Zekati i fitrit jepet nga çdo lloj ushqimi bazë dominues në vend, si: grurë, misër, oriz, fasule, thjerrëza, humus (qiqra), bathë, dhe ushqime të tjera të ngjashme me to që ushqehen njerëzit në atë vend. Profeti ﷺ zekatin e fitrit e përcaktoi të jetë një sa’a nga ushqimi dhe sahabët e nxirrnin një sa’a nga ushqimi që e përdornin vetë ata.
    19. Me ushqim bazë për qëllim janë ushqimet që i përdorin njerëzit dhe që janë bazë dhe dominuese në vazhdimësi, andaj nuk lejohet që si zekat të fitrit të jepet sheqer dhe çaj, edhe pse njerëzit kanë nevojë për to, sepse ato nuk janë nga ushqimet që janë bazë për njerëzit.
    20. Ushqimet që janë bazë dhe ushqyese për njerëzit lejohen të jepen edhe si të konservuara për zekat të fitrit, si batha e konservuar në kuti teneqeje, humusi, misri, bizelja, fasulja dhe të ngjashme me to.
    21. Produktet ushqimore të konservuara përmbajnë edhe gjëra të tjera shtesë, për këtë arsye duhet pasur kujdes që ky fakt të merret parasysh gjatë përcaktimit të rëndesës apo peshës.
    22. Zekati i fitrit lejohet që vullnetarisht të nxirret edhe më shumë se një sa’a dhe ajo tepricë do të llogaritet sadaka për të cilën do të shpërblehet ai që e jep.
    23. Nxjerrja e zekatit të fitrit në formën e të hollave nuk lejohet, sepse Ligjvënësi detyroi të nxirret si produkt ushqimor dhe jo të holla dhe e përcaktoi edhe sojin e saj, prandaj nuk lejohet të jepet diçka tjetër jashtë asaj që është përcaktuar.[8]
    24. Zekati i fitrit nuk lejohet që të jepet në formën e të hollave dhe me to borxhliu t’i lajë borxhet, apo të operohet i sëmuri, apo të paguhet semestri për studentin dhe të ngjashme me to.

    Ekzistojnë burime të tjera që nevojat e të varfërve mund të plotësohen, si zekati i pasurisë dhe lëmoshat e përgjithshme.

    1. Zekati i fitrit i ka dy kohë të nxjerrjes së tij: kohën e pëlqimit dhe kohën e lejimit.

    Koha e pëlqimit është në mëngjes të ditës së Bajramit, sepse Profeti ﷺ urdhëroi që zekati i fitrit të nxirret para se të dalin njerëzit për namazin e Bajramit.[9] Prandaj edhe preferohet që falja e namazit të Fitër Bajramit të vonohet me qëllim që të ketë hapësirë të nxjerrjes së zekatit të fitrit.

    1. Kurse koha e lejimit është një apo dy ditë para Bajramit. D.m.th. që koha e parë që lejohet të nxirret zekati i fitrit është nata e 28-të e Ramazanit, sepse shokët e Profetit ﷺ e jepnin para Bajramit, një apo dy ditë, ndërsa muaji i Ramazanit është 29 apo 30 ditë.

    Abdullah ibën Omeri k tha: “E jepnim zekatin e fitrit një apo dy ditë para Bajramit.”[10]

    1. Kush e nxjerr zekatin e fitrit para kohës së lejuar, d.m.th. para natës së 28-të të Ramazanit, ai vetëm se e ka nxjerrë para kohe dhe përsëri detyrohet ta japë atë.
    2. Zekati i fitrit lejohet t’i jepet atij që është besnik apo përfaqësuesit ligjor, si shoqatave bamirëse, që nga fillimi i muajit Ramazan, me kusht që fitrat t’i nxjerrin një apo dy ditë para Bajramit.
    3. Vonimi i nxjerrjes së zekatit të fitrit pasi të falet namazi i Bajramit është haram, ai që e vonon, detyrohet që ta japë kaza-kompensim.
    4. Dijetarët janë të ndarë në mes tyre rreth meselesë së nxjerrjes së zekatit të fitrit pas namazit të Bajramit. Shumica nga dijetarët janë të mendimit se nxjerrja e fitrave pas namazit të Bajramit urrehet, por, edhe nëse ndodh, pranohet si vepër.

    Mirëpo, më afër së vërtetës është se nuk lejohet të vonohet dhënia e fitrave pas namazit të Bajramit bazuar në hadithin: “Kush e nxjerr zekatin e fitrit para namazit, llogaritet zekat i pranuar, kurse, kush e jep pas namazit, llogaritet sadaka nga sadakatë.” [11]

    Kur vonohet nxjerrja e fitrave, humbet edhe kuptimi i vërtetë që synohet nga zekati i fitrit, plotësimi i nevojave të të varfërve në ditën e gëzimit, andaj, kush e vonon pa arsye, bën gjynah dhe detyrohet ta japë kaza.

    1. “Fukahatë[12] njëzëri janë të pajtimit se zekati i fitrit nuk bie poqë del koha e tij, sepse ai që detyrohet t’i japë fitrat, e ka për borxh t’ua japë atyre që e meritojnë dhe ky borxh nuk lahet përveçse me dhënien e tij, sepse është hak i njeriut, kurse për hakun e Allahut, që vonohet nxjerrja e zekatit të fitrit pasi të kalojë koha e tij, duhet bërë kërkimfalje dhe pendim, sepse prej hakut të Allahut është të jepet në kohën e vet.”[13]
    2. Kur ai që duhet ta japë zekatin e fitrit e angazhon dikë tjetër për ta dhënë në vend të tij, përgjegjësia i mbetet përderisa nuk vërtetohet që i besuari i tij e ka nxjerrë dhe e ka dhënë atë në të vërtetë.
    3. Shoqatat bamirëse lejohet që nga pasuria e tyre t’i blejnë ushqimet, të cilat jepen për zekat të fitrit, gjatë Ramazanit apo para tij, e pastaj ato ushqime t’ua shesin atyre që dëshirojnë ta japin zekatin e fitrit. Po ashtu, shoqatave u lejohet ta marrin përgjegjësinë dhe besueshmërinë që për të tjerët ta nxjerrin zekatin e fitrit, një apo dy ditë para Bajramit.
    4. Nuk u lejohet shoqatave që ta nxjerrin zekatin e fitrit për të tjerët para se të kërkohet prej tyre që ta bëjnë një gjë të tillë, e më pas t’i kërkojnë të hollat për fitrat e shpërndara.
    5. Zekati i fitrit u jepet të tetë grupeve të përmendura në Kuran që u jepet zekati i pasurisë. Ka edhe një mendim tjetër të dijetarëve se zekati i fitrit u takon vetëm të varfërve dhe të mjerëve, dhe jo të tjerëve. Këtij mendimi i takon Ibën Tejmije dhe Ibën el-Kajimi, Allahu i mëshiroftë, nga dijetarët e vjetër, dhe Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, nga dijetarët bashkëkohorë.
    6. Dhënësi i zekatit të fitrit, sipas mundësive, duhet të hulumtojë t’i gjejë të varfrit që e meritojnë, e nëse më vonë del në pah se ai që i mori fitrat është pasanik, kjo nuk e dëmton atë që i dha fitrat dhe zekati i fitrit i tij është i pranuar.
    7. Kur të vijë dikush dhe kërkon t’i jepet zekati i fitrit, të folurit, veshja dhe pamja e tij aludojnë se e meriton zekatin e fitrit, jepja atij. Ti gjyko sipas pamjes së jashtme, kurse Allahut i takon gjykimi sipas zemrave.
    8. Nuk lejohet që zekati i fitrit të jepet dhe investohet në ndërtimin e xhamive dhe projekteve bamirëse.
    9. Lejohet që fitrat e një personi t’i jepen një grupi të njerëzve dhe njashtu fitrat e një grupi t’i jepen një personi.
    10. Kur i varfri e merr nga tjetri zekatin e fitrit dhe i tepron, pra fitrat janë më tepër sesa nevoja e tij, i lejohet atij që atë tepricë, nëse është e plotë dhe e arrin sasinë e zekatit të fitrit, ta japë si zekat të fitrit për veten apo për dikë nga familja e tij që e ka për detyrë të shpenzojë për të.
    11. Dijetarët janë të pajtimit se nuk lejohet zekati i fitrit t’u jepet atyre që njeriu e ka për detyrë të shpenzojë për ta, sikurse prindërve dhe fëmijëve.
    12. Zekati i fitrit lejohet që t’u jepet akrabave të varfër, madje, nëse u jepet atyre, është më e mirë sesa t’u jepet atyre që janë më të largët, sepse dhënia për akrabatë llogaritet sadaka dhe respektim i lidhjeve farefisnore.
    13. Zekati i fitrit jepet për myslimanët e varfër të vendit, pavarësisht se pasuria e atij që i jep fitrat a gjendet në atë vend apo jo, dhe lejohet që fitrat të transferohen në vende të tjera për të varfrit e tyre nëse ka nevojë, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve.
    14. Zekati i fitrit nuk lejohet që t’u jepet jomyslimanëve.
    15. Një ndër gabimet që bëhen është nxjerrja e produkteve ushqimore jokualitative dhe jo të mira për zekat të fitrit. Allahu është i Miri dhe nuk pranon veçse të mirën.

    Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

    Pjesë e librit : “Udhërrëfyes për muajin e Ramazanit”

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    [1] Ebu Davud (1371) me zinxhir të mirë.

    [2] Buhariu dhe Muslimi.

    [3] Nisab është sasia e caktuar e pasurisë me Sheriat, kështu që kur arrihet kjo sasi – nisabi, hyn në fuqi obligimi për dhënien e zekatit. (sh.p)

    [4] Ka edhe mendim tjetër të dijetarëve që e cekin zekatin e fitrit të cilin e jep secili për veten e tij dhe nuk detyrohet që burri ta japë për të tjerët e, nëse vullnetarisht e bën këtë, kjo është vepër e mirë nga ana e tij. (Burimi: https://islamqa.info/ar/99353). (sh.p.)

    [5] Përderisa gruaja është në iddet (ditët e pritjes), ajo ende është grua e burrit të saj, dhe burri e ka për detyrë të shpenzojë për të, e këtu përfshihet edhe dhënia e zekati të fitrit për të, përderisa është në ditët e pritjes. Disa nga dijetarët e kanë mendimin se burri në këtë periudhë nuk duhet ta japë zekatin e fitrit për gruan e tij të divorcuar dhe ajo vetë duhet ta japë atë. Ky është medh’hebi i Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë, dhe këtë mendim e ka shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë! Mirëpo, ajo më e mira është që ta japë burri gjatë kësaj periudhe, që për çdo rast e largon përgjegjësinë e vet, duke e pasur parasysh se zekati i fitrit nuk kushton shumë, është pak dhe nuk e rëndon atë. (Burimi: https://islamqa.info/ar/99585). (sh.p.)

    [6] Sa’a është një sasi matëse e barabartë me katër ‘mud’ dhe një ‘mud’ është i barabartë me një grusht me të dyja duart e një burri shtatmesatar. (sh.p)

    [7] Buhariu dhe Muslimi.

    [8] Ky është mendimi i imam Malikut, Shafiut dhe Ahmedit, Allahu i mëshiroftë, duke u bazuar në atë që edhe në kohën e Profetit ﷺ ka pasur dinar dhe dërhem, mirëpo nuk i ka urdhëruar të japin të holla, por ushqim i cili është bazë dhe dominues që e përdorin njerëzit në atë vend. Imam Ebu Hanife, Allahu e mëshiroftë, e ka mendimin se lejohet dhënia e zekatit të fitrit edhe të holla përveç ushqimit. Është edhe një mendim tjetër, mendimi i Ibën Tejmijes, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë që lejohet të jepet zekati i fitrit në formë të të hollave në raste nevoje apo dobie të qartë, përndryshe detyrohet të jepet ushqim. (Burimi: http://fatwa.islamweb.net/fatwa/index.php?page=showfatwa&Option=FatwaId&Id=140294). (sh.p.)

    [9] Buhariu dhe Muslimi.

    [10] Buhariu (1511).

    [11] Ebu Davud (1371), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të mirë.

    [12] Dijetarët e jurisprudencës islame. (sh.p.)

    [13] El-Meusua el-fikhije (23/341).

  • DISA RREGULLA TË ZEKATIT TË PASURISË

    DISA RREGULLA TË ZEKATIT TË PASURISË

    TË KEMI KUJDES GJATË NXJERRJES SË ZEKATIT TË PASURISË

    Zekati i pasurisë nuk jepet për t’i dhënë iftar agjëruesit, sepse zekati i takon të varfrit, ndërsa në mesin e atyre që hanë iftar ka pasanikë dhe ka të varfër. Po ashtu, nuk i jepet as jetimit, përveç nëse është i varfër. Ka jetim që ka pasuri të cilën e ka trashëguar nga familja e tij, jo çdo jetim është i varfër. Shërbëtori dhe punëtori mund të marrin nga zekati vetëm nëse bëjnë pjesë në grupet që u jepet zekati, përndryshe nuk lejohet që t’ua japim atyre, me qëllim të përfitimit personal.

    ZEKATI I RROGËS

    Sa i përket rrogës janë dy mundësi:

    Rroga të shpenzohet vazhdimisht dhe prej saj të mos mbetet gjë (apo mbetet pak sa nuk e arrin sasinë e caktuar). Në këtë rast nuk ka zekat, sepse kriteret nuk plotësohen.

    Rroga të jetë e lartë saqë i mbeten të deponuara nga rroga aq të holla, saqë e arrijnë nisabin[1] (sasinë e caktuar), ku ndërkohë mund të shtohen dhe të pakësohen. Në këtë rast, mënyra më e mirë për zekatin e tij është ta llogarisë plotësimin e një viti[2] prej sasisë së parë që e ka deponuar dhe e ka arritur nisabin. Kur plotësohet një vit i plotë prej momentit që është arritur nisabi, e jep zekatin për të gjithë pasurinë që është tubuar brenda një viti. Për atë pasuri që e ka plotësuar një vit të plotë, në këtë rast zekati i saj është nxjerrë në kohën e vet, ndërsa për pasurinë që brenda vitit iu ka bashkëngjitur dhe nuk e ka plotësuar një vit, zekati i saj është nxjerrë pak më herët, por kjo nuk është problem, sepse lejohet që zekati të nxirret pak para kohe.[3]

    NIJETI I ZEKATIT

    Nijeti është kusht në nxjerrjen e zekatit, prandaj zekati nuk pranohet, përveçse me nijet që të jepet si zekat. Kush shpenzon nga pasuria e tij me nijet për sadaka e jo me nijet për zekat dhe më vonë e ndërron mendjen dhe dëshiron që atë pasuri ta llogarisë si zekat, kjo nuk pranohet prej tij, sepse ai kur e ka nxjerrë pasurinë, nuk e ka bërë nijetin për zekat.

    Detyrohet të jepet menjëherë si të plotësohet një vit (hënor e jo gregorian), pasi e ka arritur nisabin dhe nuk lejohet të vonohet. Lejohet të nxirret pak para kohe nëse ka nevojë, me nijet për zekat.

    ZEKATI I PASURISË SË PATUNDSHME

    Nëse toka (shtëpi, banesë etj.) është përgatitur për banim, nuk jepet zekat për të.

    Nëse toka është përgatitur për ta dhënë me qira, nuk jepet zekat për të, por jepet për të hollat e qirasë (nëse e arrijnë nisabin apo ato i shtohen pasurisë bazë që e ka pronari), pasi t’i plotësojë një vit të plotë hënor, apo ajo që ka mbetur nga viti.

    Nëse toka është e përgatitur për të bërë tregti me të, atëherë jepet zekat për të.

    Kush ka patundshmëri dhe është i lëkundur se a ta bëjë vend për banim apo të bëjë tregti me të, nuk ka zekat në këtë rast, derisa pronari të jetë i vendosur plotësisht, edhe nëse plotësohet një vit i plotë.[4]

    PATUNDSHMËRIA E SHPRONËSUAR

    Patundshmëria e cila shpronësohet dhe i përcaktohet vlera, por pronari i saj nuk e ka marrë shumën e caktuar për shkak se nuk ia kanë dhënë, në këtë rast nuk ka zekat derisa ta marrë kompensimin dhe të presë të plotësohet një vit i plotë hënor.[5]

    ZEKATI I AKSIONEVE

    Në esencë, zekatin e aksioneve e jep vetë pronari, sepse aksioni është pronë e tij. Ndërsa administrata e kompanisë mund ta japë në vend të tij në katër raste:

    – Nëse rregullorja bazë e tyre e lejon këtë.

    – Nëse merret vendim në seancën plenare.

    – Nëse ligji i shtetit i detyron kompanitë ta nxjerrin zekatin e aksioneve.

    – Nëse kompania autorizohet nga vetë pronari i aksioneve që ajo ta japë në vend të tij.[6]

    Nëse bie ndjeshëm vlera e aksioneve, zekati i saj obligohet sipas çmimit që është i mundshëm të tregtohet me to në treg dhe ka blerës që mund t’i blejë ato, edhe po qe se çmimi është i ulët, nëse shuma e saj e arrin nisabin, duhet ta nxjerrë zekatin 2.5 % nga vlera e këtyre aksioneve.

    Aksionet dhe tokat që pronari i saj i pret të rriten në çmim dhe t’i shesë ato, obligohet ta japë për to zekatin për çdo vit 2.5 % të vlerës së tyre në treg. Nëse ka nevojë që të shtyhet nxjerrja e zekatit deri sa t’i shesë ato, kjo lejohet, duke i llogaritur të gjitha vitet e pritjes derisa i ka shitur ato.

    GJËRAT QË PËR TO NUK JEPET ZEKAT

    Çdo gjë që njeriu e ka përgatitur për veten dhe për nevojat e tij si banesa (apo shtëpia), mobilet e shtëpisë, rrobat, xhevahiret, mjetet e transportit, mjetet e punës, pajisjet e ndërtimtarisë, dekoret e shitoreve etj., nuk ka zekat në to, përveçqë këtu veçohet ari dhe argjendi, për to jepet zekat.

     

    Dr.Muhamed Salih el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë nga libri: “Zahireja e agjëruesit”

     

    [1] “Nisab” quhet sasia e caktuar e pasurisë me sheriat, kështu që kur arrihet kjo sasi, hyn në fuqi obligimi për dhënien e zekatit, kurse, nëse pasuria është më pak se kjo sasi, atëherë nuk e obligon dhënien e zekatit. Nisabi dallon me dallimin e llojeve të pasurive që jepet zekat për të: te devetë nisabi është pesë deve (d.m.th. nëse i ka pesë e më shumë deve, obligohet dhënia e zekatit, kurse më pak se pesë, nuk obligohet), te lopët nisabi është tridhjetë, te delet është dyzet, nisabi i arit është 85 gramë (ari i pastër 24 karatë) dhe nisabi i argjendit është 595 gramë. (Burimi: Rregullat e zekatit – Muhamed el-Munexhid) (sh.p.)

    [2] Ky është kushti i dytë për ta dhënë zekatin, pra, pasi pasuria e arrin sasinë e caktuar, duhet të plotësojë një vit të plotë hënor prej momentit kur e ka plotësuar nisabin. Nëse brenda vitit pasuria mangësohet, shkaku i shitblerjes ose shpenzimit ose diçkaje tjetër dhe bie nën sasinë e caktuar për dhënien e zekatit, me këtë bie edhe obligimi i dhënies së zekatit, sepse pasuria që është mangësuar ka rënë nën sasinë e caktuar të zekatit pa e plotësuar një vit të plotë. Ndërsa, nëse pasuria prapë shtohet dhe e arrin sërish nisabin, numërimi i ditëve fillon prej atij momenti që e ka arritur nisabin dhe pritet të plotësohet një vit i ri për ta dhënë zekatin. (sh.p)

    [3] Fetava el-Lexhnetu ed-Daime (9/280).

    [4] Fetava Ibn Baz (41/761).

    [5] Fetava Ibn Baz (14/41).

    [6] Muxheletu el-Mexhea’ el-Fikhij (4/1/188).

  • ZEKATI I FITRIT – RREGULLA DHE DOBI

    ZEKATI I FITRIT – RREGULLA DHE DOBI

    1. Zekati i fitrit bën pjesë në adhurimet dhe veprat e mëdha që myslimanin e afrojnë tek Allahu, kjo për shkak të lidhshmërisë që e ka zekati i fitrit me agjërimin e Ramazanit, të cilin Allahu ia dedikoi vetes në shenjë nderimi dhe madhështie.
    2. Zekati i fitrit është lëmoshë që detyrohet të jepet me mbarimin e agjërimit të Ramazanit, dhe fjala ‘zekat’ iu shtua fjalës ‘fitër’, sepse ndërprerja e agjërimit u bë shkak që të jepet zekati.
    3. Zekati i fitrit u detyrua për dy shkaqe:

    Shkaku i parë: Të jetë për agjëruesin pastrim nga gabimet dhe fjalët e ndyta. Vekia ibën el-Xherah tha: “Zekati i fitrit për muajin e Ramazanit është si dy sexhdet e harresës për namazin, i plotëson mangësitë në agjërim ashtu si e plotësojnë sexhdet mangësinë në namaz.”

    Shkaku i dytë: Zekati i fitrit është ushqim për të ngratët në Ditën e Bajramit.

    1. Atë që e synon zekati i fitrit është të shpenzohet për të ngratët dhe të varfrit nevojtarë, që ata të mos ndiejnë nevojë për të lypur apo për t’ua shtrirë dorën të tjerëve për Bajram, kjo ditë është ditë feste dhe gëzimi, e t’ia shtrish dorën tjetrit për Bajram është përbuzje dhe nënçmim.

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e detyroi dhënien e zekatit të fitrit si pastrim për agjëruesin nga gabimet dhe fjalët e ndyta dhe ushqim për të ngratët.”[1]

    1. “I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!” (El-A’la: 14-15); në këto vargje të sures El-A’la, ku thuhet se Allahu për qëllim e ka zekatin e fitrit.

    Përcillet se Omer ibën Abdulazizi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ajetet i komentoi duke thënë: “E dha zekatin e fitrit, e më pas doli për në namaz (namazin e Bajramit).”

    1. Zekati i fitrit i obligohet çdo myslimani. Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur nga ata të dy, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nxjerrjen e zekatit të fitrit ia detyroi çdo myslimani, i lirë apo skllav, mashkull apo femër.[2]
    2. Nxjerrja e fitrave i detyrohet çdo myslimani, agjëroi apo nuk agjëroi, fëmijë apo i madh, madje edhe për fëmijën që është në djep dhe për gruan që gjatë muajit të Ramazanit nuk e agjëroi asnjë ditë për shkak të lehonisë.
    3. Për fëmijën që është në barkun e nënës zekati i fitrit nuk detyrohet të jepet, por pëlqehet dhe dijetarët janë unikë në mes tyre për këtë rregull.
    4. Nxjerrja e zekatit të fitrit detyrohet kur perëndon dielli në ditën e fundit të Ramazanit, andaj kush martohet apo i lind fëmijë apo e pranon Islamin para se të perëndojë dielli e ka për detyrë ta japë atë, e nëse ndodhin pas perëndimit të diellit atëherë nuk detyrohet.
    5. Kush vdes para se ta arrijë kohën e nxjerrjes së zekatit të fitrit, për të nuk jepen fitrat, kurse ai që vdes pasi të hyjë koha e nxjerrjes dhe ende nuk e ka nxjerrë zekatin e fitrit, për të e jepin trashëgimtarët e tij nga pasuria e tij, sepse ajo i është bërë detyrim dhe i ka mbetur si borxh.
    6. Zekati i fitrit nuk ka nisab[3], kriteri për ta dhënë zekatin e fitrit është që kush posedon ushqim më tepër sesa që është i mjaftueshëm për veten dhe familjen e tij, për në ditën dhe në natën e Bajramit, detyrohet ta japë zekatin e fitrit.
    7. Myslimani zekatin e fitrit e jep për veten dhe e jep për ata që është i detyruar të shpenzojë.[4] Pra, e jep për veten dhe për gruan, edhe nëse ajo ka pasuri, për fëmijët dhe prindërit e tij të varfër, dhe për vajzën e fejuar që ende nuk ka shkuar te burri i saj.
    8. Nëse fëmija ka pasuri, në këtë rast prindi nuk detyrohet që ta japë zekatin e fitrit për të.
    9. Kur burri e divorcon gruan dhe divorci është kthyes, d.m.th. është hera e parë apo e dyta që e ndan, zekatin e fitrit për gruan e jep burri i saj[5], kurse nëse divorci është i përhershëm, d.m.th. e ka divorcuar tri herë, atëherë gruaja e jep për veten e saj.
    10. Fëmija nuk e ka për detyrë që ta japë zekatin e fitrit për gruan e babait të tij të varfër (njerkën), ngase detyrshmëria e shpenzimit për gruan e babait nuk bie mbi të.
    11. Fëmija përderisa ka mundësi financiare, e jep vet zekatin e fitrit për veten e tij. Nëse edhe prindi i tij e jep për të, nuk është problem dhe nuk dëmton gjë, e në veçanti nëse prindi është mësuar që për çdo vit ta japë zekatin e fitrit për fëmijët, edhe pse janë të rritur dhe të punësuar, ai prapë dëshiron që ta vazhdojë këtë traditë të tij.
    12. Nëse dëshiron dikush që zekatin e fitrit ta japë për dikë që nuk e ka detyrim ta japë për të, patjetër e ka të marrë leje prej tij.
    13. Pronari i punëtorisë nuk detyrohet që ta japë zekatin e fitrit për shërbëtorin apo punëtorin e tij, mirëpo nëse e jep vullnetarisht për të, nuk është problem, vetëm se duhet ta lajmërojë atë paraprakisht që ta bëjë nijetin, ngase zekati i fitrit është adhurim dhe në adhurim patjetër duhet nijeti.
    14. Ai që vullnetarisht kujdeset për jetimin, nuk detyrohet ta japë zekatin e fitrit për jetimin, kurse nëse jetimi posedon pasuri të veten, zekatin e fitrit e jep vetë jetimi nga ajo pasuri, e nëse nuk posedon pasuri, atëherë detyrshmëria e zekatit të fitrit për jetimin bie mbi të afërmin e tij që fetarisht detyrohet të shpenzojë për të.
    15. Sasia e zekatit të fitrit është një sa’a[6] nga ushqimi. Argument është hadithi që e përcjell Ebu Seid el-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ku thotë: “Në kohën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, zekatin e fitrit e jepnim një sa’a nga ushqimi.”[7]
    16. Me sa’a për qëllim këtu është një enë mase që e përcaktoi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe që është e barasvlershme me aq sa zënë katër grushta me të dyja duart e një burri shtatmesatar.
    17. Rëndesa dallon sipas sojit të ushqimit që sa’a mbushet me të. Kur të jepet një soj i ushqimit me rëndesë për zekat të fitrit, patjetër të vërtetohet se a është e barasvlershme me të njëjtin soj të ushqimit të matur me sa’a, si p.sh. orizi përafërsisht duhet të rëndojë diku tre kilogramë.
    18. Zekati i fitrit jepet nga çdo lloj ushqimi bazë dominues në vend, si: grurë, misër, oriz, fasule, thjerrëza, humus (qiqra), bathë, dhe ushqime të tjera të ngjashme me to që ushqehen njerëzit në atë vend. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, zekatin e fitrit e përcaktoi të jetë një sa’a nga ushqimi dhe sahabët e nxirrnin një sa’a nga ushqimi që e përdornin vetë ata.
    19. Me ushqim bazë për qëllim janë ushqimet që i përdorin njerëzit dhe që janë bazë dhe dominuese në vazhdimësi, andaj nuk lejohet që si zekat të fitrit të jepet sheqer dhe çaj, edhe pse njerëzit kanë nevojë për to, sepse ato nuk janë nga ushqimet që janë bazë për njerëzit.
    20. Ushqimet që janë bazë dhe ushqyese për njerëzit lejohen të jepen edhe si të konservuara për zekat të fitrit, si batha e konservuar në kuti teneqeje, humusi, misri, bizelja, fasulja dhe të ngjashme me to.
    21. Produktet ushqimore të konservuara përmbajnë edhe gjëra të tjera shtesë, për këtë arsye duhet pasur kujdes që ky fakt të merret parasysh gjatë përcaktimit të rëndesës apo peshës.
    22. Zekati i fitrit lejohet që vullnetarisht të nxirret edhe më shumë se një sa’a dhe ajo tepricë do të llogaritet sadaka për të cilën do të shpërblehet ai që e jep.
    23. Nxjerrja e zekatit të fitrit në formën e të hollave nuk lejohet, sepse Ligjvënësi detyroi të nxirret si produkt ushqimor dhe jo të holla, dhe e përcaktoi edhe sojin e saj, prandaj nuk lejohet të jepet diçka tjetër jashtë asaj që është përcaktuar.[8]
    24. Zekati i fitrit nuk lejohet që të jepet në formën e të hollave dhe me to borxhliu t’i lajë borxhet, apo të operohet i sëmuri, apo të paguhet semestri për studentin dhe të ngjashme me to.

    Ekzistojnë burime të tjera që nevojat e të varfërve mund të plotësohen, si zekati i pasurisë dhe lëmoshat e përgjithshme.

    1. Zekati i fitrit i ka dy kohë të nxjerrjes së tij: kohën e pëlqimit dhe kohën e lejimit.

    Koha e pëlqimit është në mëngjes të Ditës së Bajramit, sepse Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, urdhëroi që zekati i fitrit të nxirret para se të dalin njerëzit për namazin e Bajramit.[9] Prandaj edhe preferohet që falja e namazit të Fitër Bajramit të vonohet me qëllim që të ketë hapësirë të nxjerrjes së zekatit të fitrit.

    1. Kurse koha e lejimit është një apo dy ditë para Bajramit. D.m.th. që koha e parë që lejohet të nxirret zekati i fitrit është nata e 28-të e Ramazanit, sepse shokët e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e jepnin para Bajramit, një apo dy ditë, ndërsa muaji i Ramazanit është 29 apo 30 ditë.

    Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, tha: “E jepnim zekatin e fitrit një apo dy ditë para Bajramit.”[10]

    1. Kush e nxjerr zekatin e fitrit para kohës së lejuar, d.m.th. para natës së 28-të të Ramazanit, ai vetëm se e ka nxjerrë para kohe dhe përsëri detyrohet ta japë atë.
    2. Zekati i fitrit lejohet t’i jepet atij që është besnik apo përfaqësuesit ligjor, si shoqatave bamirëse, që nga fillimi i muajit Ramazan, me kusht që fitrat t’i nxjerrin një apo dy ditë para Bajramit.
    3. Vonimi i nxjerrjes së zekatit të fitrit pasi të falet namazi i Bajramit është haram, ai që e vonon detyrohet që ta japë kaza-kompensim.
    4. Dijetarët janë të ndarë në mes tyre rreth meseles së nxjerrjes së zekatit të fitrit pas namazit të Bajramit. Shumica nga dijetarët janë të mendimit se nxjerrja e fitrave pas namazit të Bajramit urrehet edhe nëse ndodh pranohet si vepër.

    Mirëpo më afër së vërtetës është se nuk lejohet të vonohet dhënia e fitrave pas namazit të  Bajramit bazuar në hadithin: “Kush e nxjerr zekatin e fitrit para namazit, llogaritet zekat i pranuar, a kush e jep pas namazit, llogaritet sadaka nga sadakatë.” [11]

    Kur vonohet nxjerrja e fitrave humbet edhe kuptimi i vërtetë që synohet nga zekati i fitrit, plotësimi i nevojave të të varfërve në ditën e gëzimit, andaj kush e vonon pa arsye bën gjynah dhe detyrohet ta japë kaza.

    1. “Fukahatë[12] njëzëri janë të pajtimit se zekati i fitrit nuk bie poqë del koha e tij, sepse ai që detyrohet t’i japë fitrat e ka për borxh t’ua japë atyre që e meritojnë dhe ky borxh nuk lahet përveçse me dhënien e tij, sepse është hak i njeriut, kurse për hakun e Allahut, që vonohet nxjerrja e zekatit të fitrit pasi të kalojë koha e tij, duhet bërë kërkim falje dhe pendim, sepse prej hakut të Allahut është të jepet në kohën e vet.”[13]
    2. Kur ai që duhet ta japë zekatin e fitrit e angazhon dikë tjetër për ta dhënë në vend të tij, përgjegjësia i mbetet përderisa nuk vërtetohet që i besuari i tij e ka nxjerrë dhe e ka dhënë atë realisht.
    3. Shoqatat bamirëse lejohet që nga pasuria e tyre t’i blejnë ushqimet, të cilat jepen për zekat të fitrit, gjatë Ramazanit apo para tij, e pastaj ato ushqime t’ua shesin atyre që dëshirojnë ta japin zekatin e fitrit. Po ashtu, shoqatave u lejohet ta marrin përgjegjësinë dhe besueshmërinë që për të tjerët ta nxjerrin zekatin e fitrit, një apo dy ditë para Bajramit.
    4. Nuk u lejohet shoqatave që ta nxjerrin zekatin e fitrit për të tjerët para se të kërkohet prej tyre që ta bëjnë një gjë të tillë, e më pas t’i kërkojnë të hollat për fitrat e shpërndara.
    5. Zekati i fitrit u jepet të tetë grupeve të përmendura në Kuran që u jepet zekati i pasurisë. Ka edhe një mendim tjetër të dijetarëve se zekati i fitrit iu takon vetëm të varfërve dhe të mjerëve, dhe jo të tjerëve. Këtij mendimi i takon Ibën Tejmije dhe Ibën el-Kajimi, Allahu i mëshiroftë, nga dijetarët e vjetër, dhe Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, nga dijetarët bashkëkohorë.
    6. Dhënësi i zekatit të fitrit, sipas mundësive, duhet të hulumtojë t’i gjejë të varfrit që e meritojnë, e nëse më vonë del në pah se ai që i mori fitrat është pasanik, kjo nuk e dëmton atë që i dha fitrat dhe zekati i fitrit i tij është i pranuar.
    7. Kur të vijë dikush dhe kërkon t’i jepet zekati i fitrit, të folurit, veshja dhe pamja e tij aludojnë se e meriton zekatin e fitrit, jepja atij. Ti gjyko sipas pamjes së jashtme, kurse Allahut i takon gjykimi sipas zemrave.
    8. Nuk lejohet që zekati i fitrit të jepet dhe investohet në ndërtimin e xhamive dhe projekteve bamirëse.
    9. Lejohet që fitrat e një personi t’i jepen një grupi të njerëzve dhe njashtu fitrat e një grupi t’i jepen një personi.
    10. Kur i varfri e merr nga tjetri zekatin e fitrit dhe i tepron, pra fitrat janë më tepër sesa nevoja e tij, i lejohet atij që atë tepricë, nëse është e plotë dhe e arrin sasinë e zekatit të fitrit, ta japë si zekat të fitrit për veten apo për dikë nga familja e tij që e ka për detyrë të shpenzojë për të.
    11. Dijetarët janë të pajtimit se nuk lejohet zekati i fitrit t’u jepet atyre që njeriu e ka për detyrë të shpenzojë për ta, sikurse prindërve dhe fëmijëve.
    12. Zekati i fitrit lejohet që t’u jepet akrabave të varfër, madje nëse u jepet atyre është më e mirë sesa t’u jepet atyre që janë më të largët, sepse dhënia për akrabatë llogaritet sadaka dhe respektim i lidhjeve farefisnore.
    13. Zekati i fitrit jepet për myslimanët e varfër të vendit, pavarësisht se pasuria e atij që i jep fitrat a gjendet në atë vend apo jo, dhe lejohet që fitrat të transferohen në vende të tjera për të varfrit e tyre nëse ka nevojë, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve.
    14. Zekati i fitrit nuk lejohet që t’u jepet jomyslimanëve.
    15. Një ndër gabimet që bëhen është nxjerrja e produkteve ushqimore jokualitative dhe jo të mira për zekat të fitrit. Allahu është i Miri dhe nuk pranon veçse të mirën.

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Pjesë e librit Sezonet e adhurimit – i përkthyer në shqip)

     

    [1] Ebu Davud (1371) me zinxhir të mirë.

    [2] Buhariu dhe Muslimi.

    [3] Nisab është sasia e caktuar e pasurisë me Sheriat, kështu që kur arrihet kjo sasi – nisabi, hyn në fuqi obligimi për dhënien e zekatit. (sh.p)

    [4] Ka edhe mendim tjetër të dijetarëve që e cekin zekatin e fitrit e jep secili për veten e tij dhe nuk detyrohet që burri ta jepë për të tjerët, e nëse vullnetarisht e bën këtë, kjo është vepër e mirë nga ana e tij. (Burimi: https://islamqa.info/ar/99353). (sh.p.)

    [5] Përderisa gruaja është në iddet (ditët e pritjes), ajo ende është grua e burrit të saj, dhe burri e ka për detyrë të shpenzojë për të, e këtu përfshihet edhe dhënia e zekati të fitrit për të, përderisa është në ditët e pritjes. Disa nga dijetarët e kanë mendimin se burri në këtë periudhë nuk duhet ta jepë zekatin e fitrit për gruan e tij të divorcuar dhe ajo vetë duhet ta japë atë. Ky është medh’hebi i Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë, dhe këtë mendim e ka shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë. Mirëpo ajo më e mira është që ta japë burri gjatë kësaj periudhe që për çdo rast e largon përgjegjësinë e vet, duke e pasur parasysh se zekati i Fitrit nuk kushton shumë dhe është pak dhe nuk e rëndon atë. (Burimi: https://islamqa.info/ar/99585). (sh.p.)

    [6] Sa’a është një sasi matëse e barabartë me katër ‘mud’ dhe një ‘mud’ është i barabartë me një grusht me të dyja duart e një burri shtatmesatar. (sh.p)

    [7] Buhariu dhe Muslimi.

    [8] Ky është mendimi i imam Malikut, Shafiut dhe Ahmedit, Allahu i mëshiroftë, duke u bazuar në atë që edhe në kohën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka pasur dinar dhe dërhem, mirëpo nuk i ka urdhëruar të jepin të holla, por ushqim i cili është bazë dhe dominues që e përdorin njerëzit në atë vend. Imam Ebu Hanife, Allahu e mëshiroftë, e ka mendimin se lejohet dhënia e zekatit të Fitrit edhe të holla përveç ushqimit. Është edhe një mendim tjetër, mendimi i Ibën Tejmijes, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë që lejohet të jepet zekati i Fitrit në formë të të hollave në raste nevoje apo dobie të qartë, përndryshe detyrohet të jepet ushqim. (Burimi: http://fatwa.islamweb.net/fatwa/index.php?page=showfatwa&Option=FatwaId&Id=140294). (sh.p.)

    [9] Buhariu dhe Muslimi.

    [10] Buhariu (1511).

    [11] Ebu Davud (1371), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të mirë.

    [12] Dijetarët e jurispondencës islame. (sh.p.)

    [13] El-Meusua el-fikhije (23/341).