Ministria e Bujqësisë po financon humbjen- Vetë raporti i saj tregon se prodhimi i grurit del me minus

Ministria e Bujqësisë vazhdon të derdh miliona euro subvencione për prodhimin e grurit, edhe pse vetë raporti zyrtar i saj tregon se kjo kulturë bujqësore është jofitimprurëse. “Katalogu Ekonomik për Kulturat Bujqësore 2024”, i përgatitur nga vetë Ministria e Bujqësisë dhe publikuar në faqen e saja, tregon se pa subvencionet shtetërore, një hektar grurë del me humbje prej 235 eurosh, duke e bërë këtë kulturë ekonomike të paqëndrueshme në tregun e lirë, shkruan Demokracia.com.

Në raportin që ka për qëllim “të ofrojë një pasqyrë të detajuar të shpenzimeve dhe përfitimeve në bujqësi”, Ministria e Bujqësisë pranon se pa mbështetjen direkte të shtetit, fermerët nuk do të mund të fitonin asgjë nga gruri. Sipas të dhënave, të ardhurat për hektar janë 1,005 euro, ndërsa kostot totale arrijnë në 1,240 euro, duke rezultuar në një fitim negativ prej -235 euro për hektar.
Vetëm pas shtesës së 484 eurove nga subvencionet, fermeri del me një fitim modest prej 249 eurosh.

Ndërkohë, krahasimi me kulturat tjera tregon se ministria po subvencionon kulturën më joprofitabile, duke injoruar fushat ku prodhimi është më fitimprurës.

Për shembull, misri për kokërr, sipas të njëjtit raport, sjell të ardhura neto prej 276 euro për hektar, ndërsa pas subvencioneve fitimi ngjitet në 605 euro.
Pra, misri është dyfish më fitimprurës se gruri, megjithatë, Ministria vazhdon të orientojë fondet publike tek prodhimi që gjeneron humbje.

Edhe vetë raporti pranon se rritja e kostos së fuqisë punëtore është kthyer në një nga sfidat kryesore të sektorit, por asnjë masë konkrete nuk propozohet për ta adresuar këtë problem.

Në pjesën për drithërat, raporti shprehet se “të ardhurat neto nga gruri janë më të ulëta krahasuar me misrin apo elbin, megjithatë fermerët vazhdojnë ta kultivojnë grurin, duke e konsideruar atë produkt bazik të konsumit”.
Në praktikë, kjo do të thotë se ministria po financon sentimentalizmin ndaj grurit, jo ekonominë e tregut.“Katalogu Ekonomik” që ajo vetë ka publikuar tregon më shumë për dështimin e politikave sesa për suksesin e tyre: një bujqësi që pa ndihmën e shtetit s’ka asnjë mundësi të mbijetojë.
Deri sa një hektar grurë të vazhdojë të dalë me minus, çdo euro e dhënë nga ministria është subvencion për humbjen, jo për zhvillimin.

1.1.1. Marzha bruto dhe të ardhurat neto për hektar

Sipas “Katalogut Ekonomik për Kulturat Bujqësore 2024”, të përgatitur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), prodhimi i grurit në Kosovë paraqet një model ekonomik me humbje, i cili mbulohet vetëm përmes subvencioneve publike.

Tabela 1: Kostoja e prodhimit të grurit për hektar

Nr Përshkrimi Vlera (€) Përqindje (%)
1. TË ARDHURAT
Grurë 945
Kashtë 60
Gjithsej të ardhurat (€ / ha) 1,005 100%
2. KOSTO VARIABILE
Shpenzime për inpute 552
Shpenzime të makinerisë 306
Shpenzime të fuqisë punëtore 114
Shpenzime tjera 169
Gjithsej kosto variabile (€ / ha) 1,140 113%
3. Marzha e kontributit (€ / ha) -135
Zhvlerësimi (€ / ha)** 100 10%
4. TË ARDHURAT NETO (€ / ha) -235 -23%
5. SUBVENCIONE (€ / ha) 484
6. TË ARDHURAT NETO + Subvencionet (€ / ha) 249

Nga të dhënat del se pa subvencionet publike, një hektar grurë në Kosovë rezulton me humbje prej 235 eurosh, ndërsa vetëm pas subvencionimit prej 484 eurosh për hektar, fermeri arrin një fitim të vogël neto prej 249 eurosh.

Kjo tregon se fitueshmëria e sektorit varet plotësisht nga ndërhyrja buxhetore, duke e bërë prodhimin e grurit ekonomikisht të paqëndrueshëm në treg të lirë.

Gruri mbetet kultura me performancën më të dobët ekonomike ndër drithërat e analizuara nga MBPZhR. /Demokracia.com/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *