Category: Agjërimi

  • PARA MUAJIT RAMAZAN

    PARA MUAJIT RAMAZAN

    – Kërkoj falje për tri gjëra:
    1. Nëse e zemërova dikë.
    2. Nëse e dëmtova dikë.
    3. Nëse e ngushtova dikë.

    – I falënderoj tre njerëz:
    1. Atë që tek ai kam respekt.
    2. Atë që kishte durim me mua.
    3. Atë që bën dua për mua, kur jam larg tij.

    – Ua fali tre personave:
    1. Atë që më përgojoi, kur nuk isha prezent.
    2. Atë që më ofendoi.
    3. Atë që më bëri padrejtësi.

    – O Zot, na e mundëso ta presim muajin e Ramazanit me gjynahe të falura dhe me vepra të pranuara!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • Parapërgatitja për Ramazan (HUTBE)

    Parapërgatitja për Ramazan (HUTBE)

    Mysafiri është afër. Erën po ia ndiejmë. Ditët po i numërojmë. Tashmë po na troket. Sa na ka marrë malli ta dëgjojmë këtë ajet:

    ﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ كُتِبَ عَلَيۡكُمُ ٱلصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبۡلِكُمۡ لَعَلَّكُمۡ تَتَّقُونَ١٨٣﴾

    “O ju që keni besuar, ju është bërë obligim agjërimi, ashtu siç ishte obligim edhe për popujt para jush, që të bëheni të devotshëm.” (El Bekare, 183)

    Na ka marrë malli për këtë ajet. Jo vetëm ta dëgjojmë, por edhe të punojmë me të: “… që të bëheni të devotshëm”, e jo thjesht t’i bashkëngjitem familjes e të mos ndahem prej tyre. Po, gjithsesi, të agjërosh së bashku me familjarët dhe shokët ka shije të veçantë, porse kryesorja është të arrihet devotshmëria.

    Devotshmëri është t’i kryesh obligimet dhe të largohesh prej ndalesave ose harameve. Kështu, kur të agjërosh do të kesh hise në devotshmëri apo takva. Kur të falesh, ke hise në devotshmëri – takva. Kur të japësh lëmoshë, do të kesh hise në devotshmëri – takva. Kur të largohesh nga një haram, do të kesh hise në devotshmëri – takva. E, kur të jesh i devotshëm, do të kesh shumë merita:

    Allahu thotë:

    ﴿ إِنَّمَا يَتَقَبَّلُ ٱللَّهُ مِنَ ٱلۡمُتَّقِينَ٢٧﴾

    “Allahu e pranon prej të devotshmëve.” (El Maide, 28)

     

    Po ashtu thotë:

    ﴿ إِنَّ أَكۡرَمَكُمۡ عِندَ ٱللَّهِ أَتۡقَىٰكُمۡۚ إِنَّ ٱللَّهَ عَلِيمٌ خَبِيرٞ١٣﴾

    “Më i ndershmi nga ju, tek Allahu, është ai që është më i devotshëm.” (El Huxhurat, 13)

     

    Pasi që Ramazani është:

    ﴿أَيَّامٗا مَّعۡدُودَٰت١٨٤﴾

    “Ditë të numëruara.” (El Bekare, 184)

    Vjen shpejt dhe ikën shpejt. Pak ditë.

    Veprat e mira që mund të bëhen në Ramazan janë të llojllojshme,  andaj prej nesh kërkohet vetëm seriozitet, mund i madh, të përvilen duart dhe të fillohet fuqishëm, sidomos në kohën që po jetojmë, në kohën e fitneve. Kohë pandemie, sprova e pasurisë, kriza të ndryshme politike, ekonomike, shëndetësore etj.

    Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Ibadeti (adhurimi i Allahut) në kohë të trazirave (fitneve) llogaritet sikurse hixhreti tek unë.”[1]

    Pastaj ndjenja se ky mysafir do të qëndrojë shumë pak, e po ashtu ndjenja se nuk e dimë a do ta presim shëndoshë? Këto na bëjnë që t’i kushtojmë rëndësi më shumë dhe na bëjnë që të mos dalim prej tij vetëm se si fitimtarë.

    Shikoni çfarë u tha Pejgamberi ﷺ  gjithë atij grumbulli njerëzish në Haxhillëkun Lamtumirës: “Mësojini ritet e haxhit, sepse unë nuk e di, ndoshta nuk do të bëj më haxhillëk pas këtij.”[2]

    Çfarë gjurme la kjo fjalë në zemrat e tyre? Sigurisht se kjo i shtyri që ta mësojnë haxhillëkun prej tij në formë më të përkryer, të mësojnë prej tij edhe gjëra të tjera, ta pyesin për çdo gjë, sepse ndoshta ky është haxhillëku i fundit i Pejgamberit ﷺ  dhe nuk do ta takojnë më. E këtillë le të jetë edhe ndenja jonë për  Ramazanin.

    Njëherë Pejgamberi ﷺ , teksa po ngjitej në minber, tha: “Amin, amin, amin.” Kur e pyetën  Pejgamberin ﷺ  për këtë, u tha: “Xhibrili ﷺ  më erdhi e më tha: “Personin i cili e arrin muajin Ramazan dhe nuk i falen mëkatet, e pastaj hyn në Zjarr, Allahu e largoftë! Atëherë unë thashë: “Amin.”[3]

    Reflekto se si këtë bisedë po e bën meleku më i mirë në qiell, Xhibrili, me Pejgamberin më të dalluar në tokë, Muhamedin ﷺ . Çfarë do të thotë kjo lutje? Do të thotë se në Ramazan ose je fitimtar e i falur, ose do të jesh humbës dhe nuk ka kategori të tretë këtu. Nuk ka mes këtu.

    Pra, çështja se për të dalë fitimtar është shumë e lehtë, me lejen e Allahut.

    Dëgjojini këto hadithe:

    “Atij që falet Natën e Kadrit, duke besuar dhe llogaritur shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës. Atij që agjëron Ramazanin duke besuar dhe llogaritur shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës.”[4]

    Allahu në lidhje me agjërimin ka thënë: “Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të.”[5]

    Po ashtu Pejgamberi ﷺ  na ka treguar se shejtanët prangosen gjatë muajit Ramazan.

    Pra, po e shohim se çështja qenka e lehtë, me lejen e Allahut, porse kërkohet pak mund prej nesh.

    Vëllezër, nuk duam Ramazan rutinë e as Ramazan në të cilën humbet koha, andaj prej tash përgatitu.

    “O ti që e do të mirën, ec para! Dhe, o ti që e do të keqen, ndalu!”[6]

    Që tani bëje programin çfarë kohe do të lexosh Kuran? Sa do të japësh lëmoshë? Sa do të falesh me xhemat?

    Thuaji vetes: Prej tash po e bëj nijet që ta fal namazin e sabahut në këtë xhami. Prej tash po e bëj nijet se çdo ditë, para iftarit, do të lexoj Kuran së paku gjysmë ore. Aty ku ligjërohet do të jem i pranishëm. Ose, ligjërata që transmetohen në televizor para syfyrit do t’i dëgjoj rregullisht.

    Nëse ke dëshirë të jesh fitimtar në Ramazan, gjithsesi duhet të kesh kujdes: “Allahu nuk ka nevojë që dikush ta lërë ushqimin dhe pijen nëse paraprakisht nuk i lë fjalët e rrejshme, të punuarit sipas tyre dhe injorancën.”[7]

    Pastaj, përveç vetvetes, këto të mira ua trego edhe të tjerëve, sepse ne dëshirojmë të jemi fitimtarë dhe të na falen mëkatet, si për vete, ashtu edhe për ata që i duam.

    Shikoje Omer ibn Hatabin (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎). Ishte një njeri nga Shami, i cili kur vinte në Medinë dhe e vizitonte Omerin. Pas një kohe ai nuk vajti tek Omeri fare, kështu që Omeri pyeti rreth tij. Dikush i tha se ai person ka filluar të ndjekë rrugën e gabuar. Atëherë Omeri i shkroi atij dhe e këshilloi. Posa i arriti shkresa e Omerit, ai qau dhe menjëherë u pendua. Në atë rast Omeri tha: “Kështu veproni! Kur ta shihni vëllanë tuaj se ka lajthitur, përmirësojeni dhe luteni Allahun që t’ia falë mëkatet, e assesi mos e ndihmoni shejtanin kundër vëllait tuaj![8]

     

    Pjesa e dytë e hutbes

    Po ashtu për atë që dëshiron të dalë fitimtar në muajin Ramazan le t’i kushtojë kujdes bamirësisë:

    “Pejgamberi ﷺ  ishte njeriu më bamirës, porse në Ramazan ishte edhe më bamirës…”[9]

    Dyert e bamirësisë janë të hapura: e kemi zekatin, lëmoshat e ndryshme, dhënien e ushqimit, dhuratat, vakëfet etj.

    Me rëndësi është që prej tash të mendosh për këto dyer, ku do të trokasësh më shumë dhe ku do t’i lësh gjurmët e tua!

    [1] Muslimi nr.2948.

    [2] Muslimi nr.1297.

    [3] Ibn Hibani nr.907 dhe Shejh Albani e saktëson këtë hadith.

    [4] Buhariu nr.1901.

    [5] Buhariu nr.7538.

    [6] Tirmidhiu nr.682 dhe Shejh Albani thotë se është hasen (i mirë).

    [7] Buhariu nr.6057.

    [8] Hiljetul eulija, v.4, f.97.

    [9] Buhariu nr.6.

    Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

     

  • GJENDJA E NJERËZVE PAS RAMAZANIT

    GJENDJA E NJERËZVE PAS RAMAZANIT

    O ju musliman, ishit në muajin e mirësisë dhe begatisë, agjëronit ditën, u faleshit natën dhe u afroheshit kah Zoti i juaj me adhurime të ndryshme duke e shpresuar shpërblimin e Tij dhe duke kërkuar mbrojtje prej dënimit të Tij. Pastaj përfunduan këto ditë dhe e kaluat një periudhë të jetës së juaj e cila nuk do të kthehet më asnjëherë. Kështu janë ditët e jetës, periudha që do t’i kaloni ditë pas dite në rrugën e juaj për në ahiret. Ato e shkurtojnë jetën e juaj, u afrojnë kah exheli dhe ua ruajnë veprat të cilat i vepruat që të jepni llogari atë ditë kur të gjithë do të japin llogari: “(Kini frikë) ditën, kur çdokush do ta gjejë përpara atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq, duke dëshiruar që midis tij dhe së keqes së tij, të ketë largësi të madhe”. Ali Imran 30.
    Muaji i Ramazanit ishte shans i juaj që t’i ktheheni pendimit dhe veprave të mira. Të edukoheni në veprimin e adhurimeve dhe largimin nga ndalesat dhe të bëheni të durueshëm dhe në fund të dilni fitimtar kundrejt epshit të juaj i cili është fort i prirë për të keqe. Dijeni se ju nuk u ndatë nga ky muaj vetëm se i bëtë adhurimet gjëja më e dashur e zemrave tuaja dhe mëkatet gjëja më e urrejtur e shpirtrave tuaj. U edukuat me moral të lartë dhe u zgjuat prej shkujdesjes dhe e kuptuat vlerën e jetës dhe të adhurimeve.

    Tani pasi që kaloi ky muaj mos iu ktheni mëkateve për arsye se Zoti i Ramazanit është edhe Zot i muajve të tjerë. Mos e shkatërroni atë që e ndërtuat me duart e juaja prej veprave të mira se prej shenjës së pranimit të veprës së mirë është pasimi i saj me të mirë. Kthimi në mëkate pas pendimit prej saj është krim dhe mëkat më i madh se sa para saj. Para jush e keni peshoren ku maten të mirat dhe të shëmtuarat e juaja: “Ata, që u rëndohet peshorja (e punëve të mira), janë të shpëtuar. Sa për ata që do të kenë peshore të lehta, mu ata do të jenë (njerëzit) që kanë humbur vetveten, duke qëndruar përherë në Xhehenem”. Muminun 102-103.

    Edhe pse kaloi Ramazani para jush e keni një sezon i cili përsëritet çdo ditë dhe çdo natë. Ai është namazi të cilin Allahu ia detyroi robërve të Tij pesë herë në ditë, të qëndrojnë para Tij, t’i luten dhe të shpresojnë mëshirën e Tij. Prandaj përgjigjuni thirrjes së Allahut se ajo dhe besimi janë shkaqe për faljen e mëkateve dhe mbrojtje prej dënimit. E kush nuk i përgjigjet thirrjes së Allahut për të nuk ka siguri dhe mbrojtje dhe ai është në humbje të thellë.

    Poashtu para jush e keni edhe një sezon që përsëritet çdo javë e ajo është namazi i xhumasë dhe me të Allahu, azze ue xhel, e veçoi këtë Umet. Në këtë ditë gjendet një orë nëse e takon një rob musliman duke u falur dhe kërkon prej Allahut diç, Allahu ia jep atë.

    Poashtu para jush keni sezone të ndryshme ku në to ka adhurime të ndryshme ditën dhe natën. Depot e Allahut janë të plota. Ai është pasanik nuk ka nevojë për ne, por ne kemi nevojë për Atë dhe mëshirën e Tij në Ramazan dhe jashtë tij.

    Si është gjendja e atyre që në këtë muaj i nënshtroheshin adhurimeve dhe pas kalimit të tij u ndërrua gjendja e tyre. U pyetën disa prej selefit për këtë lloj njerëzish dhe thanë: “Sa njerëz të shëmtuar janë këta, nuk e njohin Allahun vetëm se në Ramazan.”

    Xhamitë në Ramazan ishin të mbushura me njerëz në pesë kohërat e namazit, ndërsa pas kalimit të tij gjurmët e tyre u zhdukën prej xhamive. Sikurse ata nuk kanë nevojë më për Allahun dhe se për ta obligimet u anuluan, ndërsa haramet u lejuan. Kërkoj mbrojtje tek Allahu prej devijimit pas udhëzimit, dhe prej kufrit pas imanit. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit dhe mos i çoni dëm veprat tuaja!”. Muhamed 33.

    Sikurse veprat e mira i shlyejnë të shëmtuarat poashtu të shëmtuarat i humbin veprat e mira. Thuhet se mëkati pas pendimit është më i shëmtuar se sa shtatëdhjetë para saj. Përcillet se një prej selefit para vdekjes qante dhe kur u pyet për shkakun tha: “Qaj për ato natë që nuk fala namaz në to dhe për ato ditë që nuk munda të agjëroj në to”. Këtë besimtar e vriste ndërgjegjja para vdekjes se nuk mundi të fal namaz nafile natën dhe të agjëron agjërim vullnetar ditën dhe parashtrohet pyetja se vallë si duhet të jetë ndërgjegjja e atyre që nuk i kryejnë farzet për Allahun?

    Këtë muaj duhet që ta përcjellim me kërkim të faljes dhe me shpresë dhe lutje për pranim të veprave. Selefi i luteshin Allahut gjashtë muaj që të arrijnë muajin e Ramazanit, e kur e arrinin vepronin vepra të mira, pastaj luteshin gjashtë muaj që t’i pranojë Allahu veprat e tyre që i kanë bërë gjatë këtij muajit. Çdo kohë e tyre ishte Ramazan, ndërsa sot shumica e njerëzve Ramazanin e përcjellin duke bërë mëkate duke i lënë detyrimet dhe duke vepruar ndalesa.

    O ju robër të Allahut, Allahu, azze ue xhel, na urdhëroi që ta përfundojmë muajin e Ramazanit me tekbire dhe me falënderim ndaj Allahut për plotësim e begatisë: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” Bekare 185.
    Ndërsa Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, na nxit që pasi ta kryejmë agjërimin e muajit Ramazan ta pasojmë atë me agjërim të gjashtë ditëve të muajit Sheual. Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, shënon në librin e tij një hadith prej Ebu Ejub el Ensarij, radijallahu anhu, i cili thotë se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit e pastaj ia bashkon edhe gjashtë të Sheualit është sikurse të kishte agjëruar tërë vitin”.

    Në përsëritjen e agjërimit pas Ramazanit ka shumë dobi. Prej saj e kemi dobinë se agjërimi i këtyre gjashtë ditëve pas Ramazanit është si namazi nafile pas farzit, i plotëson mangësitë dhe të metat. Shumica e njerëzve në agjërimin e tyre obligativ kanë mangësi dhe me agjërim vullnetar plotësohen ato mangësi dhe të meta.

    Prej dobive tjera është se përsëritja e agjërimit pas Ramazanit është shenjë e pranimit të agjërimit të muajit Ramazan. Allahu, azze ue xhel, kur ia pranon robit veprat e begaton pas saj me punë të mira, siç thonë disa se e mira shpërblehet me një të mirë pas saj. Ndërsa kush vepron një vepër të mirë e pastaj e pason me vepra të shëmtuara kjo është shenjë se ajo e mirë e tij është e refuzuar dhe nuk pranohet.

    Prej dobive tjera është se agjërimi i muajit Ramazan i shlyen mëkatet e mëparshme dhe përsëritja e agjërimit pas Bajramit është falënderim për ato begati me të cilat e begatoi Allahu robin e Tij gjatë muajit Ramazan.

    Prej begative poashtu është se përsëritja e agjërimit pas Bajramit aludon në dëshirën e robit që të agjëron dhe se ai nuk është lodhur dhe mërzitur prej agjërimit të Ramazanit.

    Zëvendësimi i begative të Allahut me mëkate pas kalimit të muajit të Ramazanit është mohim i atyre begative. Kush pretendon që t’i kthehet mëkateve pas Ramazanit agjërimi i tij është i refuzuar dhe dera e mëshirës e mbyllur. Këto muaj dhe vite dhe ditë janë të caktuara dhe kalojnë shumë shpejtë, ndërsa Zoti i tyre është i Gjallë nuk vdes, Ai është gjithnjë prezent në çdo kohë dhe çdo vend me diturinë e Tij. Prandaj frikojuni Allahut dhe vazhdoni të veproni vepra të mira dhe të largoheni prej të shëmtuarës, se do të vjen një ditë kur do të dalin veprat në shesh: “Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.” Fusilet 46.

    Merita e Allahut mbi ju është e vazhdueshme dhe sezonet e faljes janë të një pas njëshme për atë të cilin Allahu e begatoi. Pasi që na kaloi ky muaj i mëshirës jemi në prag të muajit të Haxhit. Në Ramazan kush agjëroi dhe fali nafile u mëshirua nga ana e Allahut. Poashtu në Haxh kush e kryen Haxhin pa grindje dhe sharje kthehet në shtëpi i falur prej mëkateve si atë ditë kur e ka lindur nëna e tij.

    Pra nuk kalon asnjë ditë prej jetës së muslimanit vetëm se në të ka mundësi që të vepron vepra të mira të cilat e afrojnë kah Allahu. Prandaj o ju musliman, falënderoni Allahun për këto begati dhe shfrytëzoni ato në nënshtrime ndaj Allahut dhe mos i humbni ato me mohim dhe shkujdesje.

    SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN

    nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

  • TË KAPURIT PËR ADHURIME PAS RAMAZANIT

    TË KAPURIT PËR ADHURIME PAS RAMAZANIT

    O ju musliman, frikojuni Allahut në vazhdimësi me adhurime dhe me largim nga e ndaluara. Shpëtoi ai që u kap për devotshmërinë në dynja dhe ahiret. Dhe humbi ai që e pasoi epshin dhe të ligën.

    O ju robërit e Allahut, përmendni begatitë e shumta të Allahut që i keni dhe falënderoni që ato të vazhdojnë dhe të mbetën. Allahu i Madhëruar thotë: “(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”. Ibrahim 7, dhe tha: “O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd”. Fatir 15, dhe tha: “Kush është falënderues, e bën për të mirën e vet dhe, kush mohon, ta dijë se vërtet Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për lavdërim”.  Llokman 12.

    Kurse me një hadith të shenjtë Allahu i Madhëruar thotë: “O robërit e mi, këto janë veprat tuaja, të cilat tek Unë janë të ruajtura dhe të llogaritura, e për to Unë do t’ju shpërblej. Pra, ai që gjen mirë le ta falënderojë Allahun, ndërsa ai që gjen keq le të mos e fajësojë askë pos vetveten!”.    

    O ju musliman, deri dje ishit në Ramazan. Ditët e netët i kalonit duke u kënaqur me adhurime të ndryshme dhe Allahu ju dha sukses në largimin nga mëkatet dhe të ndaluarat, pra mos i zëvendësoni adhurimet me gjynahe, mos e zëvendësoni përmendjen e Allahut  dhe leximin e Kuranit me shkujdesje, mos lejoni që t’ju kaplon dembelia dhe përtacia e të pakësoni nga detyrimet. Durimi në kryerjen e adhurimeve dhe durimi në largimin nga mëkatet, janë nga cilësitë e besimtarëve dhe stema e të devotshmëve.  Allahu i Madhëruar thotë: “Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që është midis tyre, prandaj, vetëm Atë adhuroje dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Atij. A njeh ti ndokënd që ka Emrin e Tij?!”. Merjem 65, dhe “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut”. Taha 132.

    Mos ta zëvendëson askush atë që e donë Allahu me atë që nuk e donë Allahu, që pastaj Allahu të zemërohet me të dhe ta drejton kah ajo që Ai e urren. Mos ta ndryshon askush gjendjen e tij të mëhershme të përqendrimit në fe, me pasim të epshit dhe shejtanit dhe shkuarjes pas haramave dhe të ligave,  e me atë Allahu tua ndryshon gjendjen e çështjeve të juaja. Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete”. Rad 11, dhe tha: “Kjo ndodh se Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre. Vërtet, Allahu dëgjon dhe di gjithçka”. Enfal 53.

    O ju musliman, a nuk e dini se gjendja më e mirë e një muslimani është kur ai adhurimin e përcjelle me adhurim tjetër, dhe kur të mirat i përcjell me të mira tjera dhe largohet nga të ligat!? Allahu i Madhëruar thotë: “Sa për ata që ndjekin rrugën e drejtë, Ai ua shton udhëzimin dhe u jep devotshmëri e vetëpërmbajtje”. Muhamed 17.

    Pozita më e ulët se kjo është të pasohet e liga me të mirë, me qëllim që të pastrohet mëkati i bërë. Allahu i Madhëruar thotë: “Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat”. Hud 114.

    Kurse në hadithin e Muadhit, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ceket të ketë thënë: “Frikoju Allahut kudo të jesh, pasoje një të keqe me të mirë dhe sillu me njerëzit me moral të mirë”.  

    Gjendja më e keqe është që ta pason njeriu të ligën me të ligë, apo t’i pason të mirat me të këqija që ia prishin ato të mira. Allahu i Madhëruar thotë. “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit dhe mos i çoni dëm veprat tuaja”. Muhamed 33, ngase të ligat dhe të këqijat pas të mirave dhe adhurimeve ka mundësi ta humbin veprën, apo ta prishin një pjesë të saj apo të pakësojnë nga shpërblimi i të mirave.

    Përcillet nga selefi se ata luteshin gjashtë muaj që tu pranohet Ramazani dhe gjashtë muaj tjera luteshin që Allahu tua mundëson ta arrin Ramazanin tjetër.

    Nga mashtrimet e shejtanit është që t’ia zbukuron njerëzve neglizhencën ndaj adhurimeve dhe t’i dobëson para epsheve dhe të ndaluarave në muajt tjerë jashtë Ramazanit, kështu që e arrin nga ata atë që nuk mundi ta arrin në Ramazan, ngase ishte i lidhur dhe i prangosur.

    U pyet Bishër el Hafi, Allahu e mëshiroftë, se çfarë mendimi jep për ata që përpiqen në Ramazan dhe kur kalon muaji, ata i lënë adhurimet? U përgjigj: Sa popull i keq që është ai i cili e njeh Allahun vetëm se në Ramazan!

    Mrekullia më  madhe është që Allahu t’i dhuron robit përqendrim në fe gjatë tanë jetës së tij. Kjo është fitorja e plotë dhe lumturia e përsosur. Allahu thotë: “Pa dyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar (kur t’u vijë vdekja). Ata do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, si shpërblim për atë që kanë punuar”. Ehkaf 13-14.

    Sufjan ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë se i thash të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tregoma një fjalë në Islam që mos ta pyes pas teje për të askënd?! Iu përgjigj: “Thuaj besova në Allahun dhe pastaj përqendrohu në të”.

    Allahu është Ai që adhurohet në çdo vend dhe kohë dhe Ai është që detyrohemi t’i nënshtrohemi dhe mos t’i bëjmë gjynahe. Allahu thotë: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!”. Hixhër 99.

    Komentuesit e Kuranit kur e komentojnë këtë ajet thonë: Adhurojeni Allahun gjithmonë deri sa t’ju vjen vdekja.

    Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Për besimtarin nuk ka kohë e cila përfundon, derisa t’i vjen vdekja”.

    Edhe pse mbaroi obligimi i agjërimit të Ramazanit dhe në këtë muaj u ligjësuan adhurime të llojllojshme, gjithashtu Allahu e ligjësoi edhe pas Ramazanit të vepruarit e mirësive dhe detyroi detyra dhe ndaloi nga haramet, edhe atë në çdo kohë dhe vend. Ndër to është edhe ligjësimi i agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit.  Ebu Ejub, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, e përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin dhe pastaj e përcjell me gjashtë ditë të Shevalit sikurse të kishte agjëruar tanë vitin”.

    Po ashtu e ligjësoi agjërimin e tre ditëve për çdo muaj, pastaj agjërimin e të hënës dhe të enjtes, agjërimin e ditës së Arafatit dhe Ashurës, agjërimin e dhjetë ditëve të Dhulhixhes, pastaj u ligjësua leximi i Kuranit dhe përmendja e Allahut, namazi i natës, lëmosha, e shumë të tjera.

    Pra, veprat e mira ashtu si janë të ligjësuara në Ramazan, janë të ligjësuara edhe jashtë muajve të Ramazanit.

    Nga mashtrimet e shejtanit është që disa njerëz falen në Ramazan, kurse pas Ramazanit e lënë namazin, apo i falin disa kohë e disa i lënë. Kjo padyshim se është kufër i madh, dhe për këtë Allahu thotë: “falni namazin e mos u bëni si ata, që i shoqërojnë Atij diçka tjetër (në adhurim)”. Rum 31, dhe po ashtu thotë: “Çfarë ju ka sjellë në Sekar?” Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz”. Mudethir 42-43.

    I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Mes njeriut dhe shirkut është lënia e namazit”.

    O ju musliman, dijeni se lumturia dhe shpëtimi i përhershëm është në durimin në adhurime dhe në durimin në largimin nga mëkatet. Pikëllimi dhe humbja e përhershme është në pasimin e epsheve dhe pasioneve, dhe nëse biri i Ademit e mediton mirë çështjen do të sheh se jeta sa e shkurtë që është dhe më mirë kishte qenë për të që të merret me adhurime dhe vepra të mira.

    Allahu i Madhëruar thotë: “Ditën kur do t’i tubojë, atyre do t’u duket sikur nuk kanë ndenjur në tokë, veçse një çast të shkurtër dite, aq sa për të njohur njëri – tjetrin. Vërtet, janë të humbur ata që nuk e besojnë takimin me Allahun e nuk janë në rrugë të drejtë”. Junus 45.

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Dy begati shumica e njerëzve i neglizhojnë: shëndetin dhe kohën e lirë”.

    Kjo dynja është e shkurtër e ajo që vjen e përhershme, për këtë arsye o ti rob i Allahut vepro me qëllim që ato vepra ti takosh atë ditë kur do të dalësh para Allahut tënd.

    SHEJH ALI IBËN ABDURRAHMAN EL HUDHEJFE

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

     

  • NE MUNDEMI EDHE JASHTË RAMAZANI!

    NE MUNDEMI EDHE JASHTË RAMAZANI!

    Kur erdhi muaji i Ramazanit, e zbulova që paska ekzistuar mundësia që të agjëroj për çdo të hënë dhe të enjte përgjatë vitit dhe se agjërimi nuk paska qenë i vështirë sikur e paramendoja.
    Po ashtu paskam mundur ta lë duhanin përfundimisht, por më herët s’e paskam provuar.
    M’u qartësua që bërja e hatmes për çdo muaj nuk paska qenë edhe aq e rëndë, saqë të më duket prej mrekullive, sikur që shejtani më herët ma përfytyronte.
    Po çuditem me veten se si po zgjohem në Ramazan në syfyr para imsakut, kurse jashtë Ramazanit nuk mund të ngrihesha për namazin e sabahut.
    M’u qartësua se fukaraja po ekzistuaka gjatë tërë vitit, a unë po e shoh veç në Ramazan!
    Pasha Allahun! Ramazani është një periudhë ushtrimi ku e marrim mësimin më të madh se “ne mundemi”.
    O Allah, na fal për lëshimet e tona!
    Ahmed Halid et-Teufik
    Nga arabishtja: Irfan JAHIU
  • AGJËRIMI I GJASHTË DITËVE TË SHEVALIT – RREGULLA DHE DOBI

    AGJËRIMI I GJASHTË DITËVE TË SHEVALIT – RREGULLA DHE DOBI

    1. Muaji Sheval[1] është muaj i bekuar. Është muaj i adhurimit dhe me të fillojnë muajt e haxhit[2]. Pëlqehet agjërimi i gjashtë ditëve të tij dhe njashtu preferohet kompensimi i itikafit[3] për atë që nuk e pati mundësinë të qëndrojë në itikaf gjatë Ramazanit. Shevali është muaj i aktit të martesës (niqahut) dhe ruajtjes së nderit në hallall.[4]
    2. Myslimani pasi ta agjërojë muajin e Ramazanit ligjërohet t’i agjërojë edhe gjashtë ditë nga Shevali. Agjërimi i gjashtë ditëve është sunet i pëlqyer dhe jo detyrim, e kanë vlerën e madhe dhe shpërblimin e madh.
    3. Ai që pas muajit Ramazan i agjëron edhe gjashtë ditë nga Shevali i shkruhet shpërblimi i agjërimit të një viti të plotë, ashtu siç erdhi në hadith ku Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali, është njëlloj sikur ka agjëruar tërë vitin.”[5]
    4. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e sqaroi kuptimin e hadithit të lartpërmendur dhe tha: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit, është sikur ka agjëruar dhjetë muaj, dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pas Fitër Bajramit është sikur ka agjëruar dy muaj. Kështu, plotësohet një vit: ‘Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish’.” (El-Enam: 160)”[6]
    5. Nëse dikush pyet: Pasi agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit shumëfishohet me dhjetë syresh sikur shumëfishohen në përgjithësi të mirat, atëherë cili është privilegji i agjërimit të gjashtë ditëve?

    I përgjigjemi: Dijetarët e shkollës juridike hanbelite dhe shafiite deklaruan se agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pasi të agjërohet Ramazani është ekuivalent me agjërimin e një viti agjërim të detyruar.[7]

    1. Nga dobitë e agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit është plotësimi i mangësisë që ka ndodhur në agjërimin e detyruar të Ramazanit, ashtu siç përcillet në hadith: “Gjëja e parë nga veprat që robi do të japë llogari ditën e Kiametit është namazi i tij, nëse atë e ka në rregull fiton dhe shpëton, e nëse atë nuk e ka në rregull dështon dhe humb. Nëse ka diçka mangësi në namazin e detyruar Allahu do t’u thotë melaqeve shikoni se a ka robi Im diçka nga namazet vullnetare dhe me to t’i plotësohen mangësitë e namazeve të detyruara. Pastaj kështu vazhdon llogaritja e veprave të tjera.”[8]
    2. Përcillet për disa dijetarë se agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit e konsideruan të urryer me pretekst se ekziston frika që disa nga myslimanët të mendojnë se ato janë pjesë e Ramazanit.

    Mirëpo më meritor dhe më i drejtë të ndiqet është suneti i vërtetë profetik, dhe nuk braktiset suneti për mendimin e ndokujt, kushdo qoftë ai, dhe arsyetimet e tyre “nuk mund ta kundërshtojnë sunetin e vërtetë dhe ata që e dinë argumentin kanë përparësi të pasohen karshi atyre që nuk e dinë.”[9]

    1. Për ta larguar sa më shpejt përgjegjësinë para Allahut, më mirë është të fillohet me kompensimin e ditëve të humbura të Ramazanit, andaj ai që nuk e ka agjëruar me arsye ndonjë ditë të Ramazanit le të përshpejtojë ta kompensojë dhe ta lajë borxhin e tij. Kompensimit i jepet prioritet para veprave vullnetare nga pikëpamja e përgjithshme.
    2. Kush e dëshiron shpërblimin e cekur në hadith, fillimisht le t’i kompensojë ditët e humbura të Ramazanit, e pastaj le t’i agjërojë gjashtë ditët e Shevalit[10].

    Fjala e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali” dukshëm aludon në atë se fillimisht plotësohet agjërimi i Ramazanit, e pastaj agjërohen gjashtë ditët e Shevalit, “sepse pasimi i agjërimit të Ramazanit me gjashtë ditët e Shevalit, siç ka ardhur në hadith, mund të realizohet vetëm nëse është plotësuar agjërimi i muajit Ramazan.”[11]

    1. Nuk lejohet kompensimi i ditëve të humbura të Ramazanit së bashku me gjashtë ditët e Shevalit me një nijet të përbashkët. Ai që me arsye e ka prishur agjërimin e Ramazanit nuk lejohet që agjërimin vullnetar të gjashtë ditëve dhe kompensimin e ditëve të humbura të Ramazanit t’i agjërojë me një nijet të përbashkët.
    2. Lejohet që gjashtë ditët të agjërohen pa shkëputje apo veç e veç brenda muajit Sheval, sipas mundësive që i ka agjëruesi, nëse i vonon deri në fund të muajit nuk është problem, e në veçanti për atë që i shkojnë mysafirë apo bashkohet për ndejë me të afërmit e tij për Bajram dhe ditët pas. Në këtë çështje ka hapësirë.
    3. Lejohet që agjërimi i ditëve të bardha dhe ditës së hënë dhe të enjte, të agjërohen me një nijet të përbashkët me gjashtë ditët e Shevalit dhe kështu të shpresohet që agjëruesi t’i arrijë të dyja shpërblimet.

    I këtij mendimi është edhe dijetari Abdulaziz ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: “Shpresohet që agjëruesi ta arrijë shpërblimin e dy agjërimeve, sepse atij i llogaritet edhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit po edhe i ditëve të bardha. Mirësia e Allahut është e madhe dhe e gjerë.”

    “Ai që i agjëron gjashtë ditët e Shevalit dhe tri ditët e bardha me një nijet të përbashkët, e merr shpërblimin e dy agjërimeve .”[12]

    1. Nëse agjërimi i gjashtë ditëve bie në ditën e shtunë, agjëruesi lejohet ta agjërojë këtë ditë, sepse ai nuk e veçon ditën e shtunë me agjërim, por e agjëron ngase është pjesë e agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit.
    2. Kujt i ka mbetur Ramazani pa agjëruar dhe kompensimi i tij e përfshin krejt muajin Sheval, sikurse gruaja në periudhën e lehonisë, ajo gjashtë ditët e Shevalit i agjëron në muajin Dhulkade që vjen pas Shevalit, dhe shpërblimi i saj do të jetë sikurse i ka agjëruar në Sheval, sepse vonimi në këtë rast ka qenë me arsye dhe i detyrueshëm[13]. I këtij mendimi është dijetari Ibën Uthejmini dhe Ibën Sa’dij, Allahu i mëshiroftë.[14]
    3. Kujt i kanë mbetur ditë për t’i kompensuar nga Ramazani dhe nuk i agjëron pa asnjë arsye në Sheval, për të nuk ligjërohet që gjashtë ditët e Shevalit t’i kompensojë në Dhulkade dhe nuk e arrin shpërblimin, sepse agjërimi i gjashtë ditëve është sunet dhe me përfundimin e muajit ka ikur koha e vet pa arsye.
    4. Nga besimet e kota dhe jo të drejta është besimi i disave se ai që agjëron gjashtë ditët e Shevalit në ndonjë vit, më pas detyrohet t’i agjërojë për çdo vit që vjen.

    Kjo nuk është e vërtetë, sepse agjërimi i gjashtë ditëve është sunet, kushdo i agjëron dhe për të shpërblehet. Ai që i agjëron gjashtë ditët një herë apo më shumë herë, më pas nuk detyrohet të vazhdojë t’i agjërojë për çdo vit dhe nuk merr mëkat nëse nuk i agjëron.

    1. Disa besojnë se kush fillon me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit është i detyruar t’i plotësojë ato derisa t’i përfundojë dhe nuk arsyetohet nëse i ndërpret apo nuk i agjëron të gjashtat.

    Kjo nuk është e vërtetë sepse në hadith është cekur: “Ai që agjëron vullnetarisht është udhëheqësi i vetes, nëse do agjëron, e nëse do nuk agjëron.”[15]

    Agjëruesi mund ta ndërpresë agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit, me arsye apo pa arsye, dhe nuk detyrohet kompensimi i tyre sipas mendimit më të saktë, por i ik shpërblimi i përmendur në hadith i cili nuk arrihet përveçse me plotësimin e agjërimit të Ramazanit duke e pasuar atë me gjashtë ditët e Shevalit.

    1. Nga risitë që nuk kanë bazë në fe është festimi i ditës së tetë nga Shevali pasi plotësohen gjashtë ditët me agjërim. Këtë ditë dhe festë e quajnë si “dita e punëmirëve.”

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dita e tetë e Shevalit nuk është festë, as e punëmirëve dhe as e punëkëqijve, dhe nuk i lejohet askujt të besojë se kjo ditë është festë dhe të shpikë në të diçka nga ritet e festave.”[16]

    1. Nga risitë është abstenimi nga martesa në muajin Sheval me pretekst parandjenjës së keqe për fatin e martesës. Arabët muajin Sheval e llogaritnin ndjellakeq dhe ogurzi për martesë dhe besonin se gruaja në këtë muaj duhet të abstenojë nga burri i saj, sikurse abstenon femra e devesë kur mbetet me barrë dhe e ngrit bishtin e saj.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e prishi këtë besëtytni të tyre dhe u martua me Aishen, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, në muajin Sheval dhe hyri dhëndër me të në muajin Sheval.[17]

    1. Pëlqehet martesa, të martuarit dhe hyrja dhëndër në muajin Sheval, duke e ndjekur kështu traditën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe duke e kundërshtuar besimin e kotë të periudhës para Islamit që e kishin, të cilët besonin se martesa është ogurzezë dhe ndjellakeqe në Sheval. Besimtari pëlqehet ta ndjekë këtë traditë profetike e në veçanti nëse ky besim i kotë është i përhapur dhe i shpërndarë në shoqëri.

    Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e pëlqente që gratë të martohen me burrat e tyre në muajin Sheval.[18]

    1. Nga bindjet e kota është besimi i disave se kush martohet në mes dy bajrameve, Fitër dhe Kurban Bajramit, njëri nga dy bashkëshortët do të vdesë apo do të vijë deri te ndarja e njëri-tjetrit.

    Ky besim është i kotë dhe nuk ka bazë askund në fe. Është pretendim i njohjes së të ardhmes dhe të fshehtës që nuk e di askush përveç Allahut, dhe është njollosje e imanit në caktimin e Allahut dhe është parandjenjë e keqe e ndaluar dhe ogurzezë.

    Martesa e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me Aishen, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, është argument i qartë dhe kundërshtim i këtij besimi të kotë.

     

    E lusim Allahun që veprën ta pranojë dhe të na ndihmojë që ta përmendim Allahun, ta falënderojmë dhe ta adhurojmë ashtu si është më e mira.

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Pjesë e librit Sezonet e adhurimit – i përkthyer në shqip)

     

     

    [1] Muaji Sheval është muaji i dhjetë sipas kalendarit hixhri dhe vjen pas muajit Ramazan. (sh.p.)

    [2] Muajt e haxhit janë muaj Sheval, Dhulkade dhe dhjetë ditët e Dhulhixhes. Muajt e haxhit Allahu i bëri sezonë nga ku fillojnë ritet e haxhillëkut. Allahu tha: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. (El-Bekare: 197.) Shejh Salih el Feuzan, Allahu e ruajttë, thotë: “Të caktuara janë për shkak se njerëzit i njohin prej kohës së Ibrahimit, alejhi selam, dhe Ismailit, alejhi selam, dhe nuk ka nevojë për qartësimin e saj sikur se nevojitet qartësimi i kohës së agjërimit dhe namazit.” (Hutbe me titull: Muajt e Haxhit dhe vlera e tyre – Shejh Feuzan) (sh.p.)

    [3] Itikaf do të thotë qëndrimi në xhami me nijet adhurimi dhe përmendje të Allahut. Është sunet si për burra ashtu edhe për gra dhe itikafi ligjërohet të bëhet gjatë tërë vitit, mirëpo ajo më e pëlqyera është në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Atij që me arsye i ka ikur itikafi në fund të Ramazanit preferohet ta kompensojë në Sheval. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i ndodhi një herë t’i ikë itikafi në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit dhe atë e kompensoi në fillim të Shevalit. (Buhariu dhe Muslimi). (sh.p).

    [4] Arabët muajin Sheval e llogarisnin ndjellakeq dhe ogurzi për martesë, prandaj Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u martua dhe hyri dhëndër në Sheval që t’ua bëjë me dije se ato janë besëtytni dhe nuk kanë të bëjnë me realitet. Pra, nga suneti është martesa në Sheval, e sidomos nëse ato bindje të kota janë të përhapura në shoqëri. (sh.p.)

    [5] Muslimi (1164).

    [6] Imam Ahmedi (22412), Ibën Maxheh (1715), Ibën Huzejme (2115), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [7] Ky shpërblim vjen shkaku se një e mirë shpërblehet me dhjetë, kështu që për një muaj agjërim shpërblehet sikurse me pas agjëruar dhjetë muaj ose sikurse me pas agjëruar diku 295 apo 296 ditë (shkaku se muajt hixhri janë 29 dhe 30 ditë), dhe për gjashtë ditë agjërim të Shevalit shpërblehet sikurse me pas agjëruar dy muaj agjërim ose diku 59 ose 60 ditë (shkaku se muajt hixhri janë 29 dhe 30 ditë). Kjo i bie që për një muaj agjërim të Ramazanit dhe për gjashtë ditë të Shevalit shpërblehet sikurse me pas agjëruar një vit të plotë (hixhri – i cili i ka 355 ditë ose saktësisht 354 ditë e 8 orë e 48 minuta përafërsisht), sepse një e mirë shpërblehet me dhjetë. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kush agjëron muajin e Ramazanit dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali, është njëlloj sikur ka agjëruar tërë vitin.” Muslimi (1164). Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e sqaroi kuptimin e hadithit të lartpërmendur dhe tha: “Kush agjëron muajin e Ramazanit, është sikur ka agjëruar dhjetë muaj, dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pas Fitër Bajramit është sikur ka agjëruar dy muaj. Kështu, plotësohet një vit: “Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish” (El-Enam: 160.)” Imam Ahmedi (22412), Ibën Maxheh (1715), Ibën Huzejme (2115), shejh Albani hadithin e saktësoi. (sh.p.)

    [8] Ebu Davud (864), Et-Tirmidhij (413), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [9] El-Lexhneh Ed-Daimeh (10/390).

    [10] Disa dijetarë e lejojnë që njëherit të agjërohen gjashtë ditët e Shevalit, e pastaj të kompensohen ditët e humbura të Ramazanit, edhe pse normalisht më së mirë është që njëherit të kompensohen ditët e Ramazanit, e pastaj të agjërohen ditët e Shevalit. Tek hanefitë lejohet pa urrejtje, kurse tek malikitë dhe shafiitë edhe pse lejohet po prapë e urrejnë të fillohet njëherit me agjërimin e gjashtë ditëve para kompensimit të Ramazanit, kurse hanbelitë e ndalojnë që të fillohet me gjashtë ditët para kompensimit të Ramazanit. Shih: https://ar.islamway.net/fatwa/3366/ dhe http://fatwa.islamweb.net/fatwa/index.php?page=showfatwa&lang=&Option=FatwaId&Id=3718. (sh.p).

    [11] El-Lexhneh Ed-Daimeh (10/392).

    [12] Ibën Uthejmini.

    [13] Ka mendime të ndryshime për sa i përket kompensimit të gjashtë ditëve të Shevalit në Dhulkade, disa dijetarë e shohin se agjërimi i saj në Dhulkade është njëlloj si në Sheval, disa e shohin se nëse agjërohen në Dhulkade ka shpërblim mirëpo jo si në Sheval, disa e shohin se nëse nuk mund të plotësohet agjërimi në Sheval me arsye  shpresohet për agjëruesin t’i marrë shpërblimet. Dijetari Ibën Baz, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ligjërohet kompensimi i tyre pasi të kalojë Shevali, sepse agjërimi i tyre është sunet dhe koha e saj ka ikur, pavarësisht a i ka lënë me arsye apo pa arsye.” Njashtu tha për atë që i agjëron katër ditë nga ditët e Shevalit dhe nuk i plotëson të gjashtat me arsye: “Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit janë adhurim i preferuar dhe jo i detyruar dhe ti e merr shpërblimin për ato ditë që i agjëron në të dhe shpresohet të marrësh shpërblimin e plotë nëse ka pasur pengesë dhe arsye që të kanë penguar ta plotësosh deri në fund, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kur robi sëmuret apo është udhëtar, atij i shkruhen shpërblimet, sikurse ka qenë vendas dhe i shëndoshë” (Buhariu). Andaj nuk duhet t’i kompensosh ditët që të kanë mbetur. (Mexhmua fetava Ibën Baz, 15/389, 395). Burimi: https://islamqa.info/ar/83292 (sh.p.)

    [14] El-Fetava es-Sa’dijeh (fq. 230), Mexhmua fetava Ibën Uthejmin (20/19).

    [15] Imam Ahmedi (26893), Et-Tirmidhij (732), shejh Albani hadithin e saktësoi.

    [16] El-Ihtijarat el-Ilmije.

    [17] Muslimi (1433).

    [18] Muslimi (1423).

  • BAJRAMI – RREGULLA DHE DISPOZITA

    BAJRAMI – RREGULLA DHE DISPOZITA

    1. Bajrami është rit islam, në të paraqiten pamjet e nënshtrimit dhe përuljes ndaj Allahut si dhe shumë nga kuptimet shoqërore dhe shpirtërore.
    2. Në arabisht Bajrami quhet ‘Id, që do të thotë se kthehet dhe përsëritet, dhe për çdo vit kthehet i ripërsëritur me gëzim. Po ashtu thuhet se është emërtuar me këtë emër me shpresë që ajo (festa) t’i përsëritet atij që e përjetoi. Është emërtim i tubimit vjetor që përsëritet në formë të zakonshme.
    3. Festat janë rite që gjenden te çdo popull dhe festimi i tyre ndërlidhet me instinktin dhe natyrshmërinë e ngulitur në shpirtin e njeriut. Njerëzit në festa tubohen dhe e paraqesin gëzimin dhe lumturinë.
    4. Festat tona janë përmendje të Allahut dhe gëzim me begatinë e Allahut: “Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Junus: 58.), ndërsa festat e të tjerëve janë idhujtari, femohim dhe mëkatim.
    5. Festat tona janë statike, të caktuara me argument nga Allahu, prandaj myslimanët në dynja nuk festojnë përveç tri festave:

    – Festa që përsëritet për çdo javë, kjo është dita e xhumasë.

    – Dy festa që vijnë për çdo vit nga një herë, ato janë Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami.

    Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se kur erdhi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Medine, i gjeti banorët e saj duke i festuar dy festa, në të cilat argëtoheshin dhe dëfreheshin, dhe ju tha: “Çfarë festa janë këto?!” – I thanë: “ Në periudhën para Islamit i festonim këto dy festa dhe argëtoheshim në to!” – I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Allahu jua zëvendësoi këto dy festa me dy të tjera më të mira se këto, Kurban Bajramin dhe Fitër Bajramin.”[1]

    1. Festat e myslimanëve janë nga ritet e Allahut që duhet të ngjallen, të kuptohet synimi i tyre dhe të ndihet kuptimi i tyre. Fjala e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Çdo popull i ka festat e veta dhe kjo është festa jonë”[2], aludon në atë se myslimanët i kanë dy festa, jo më shumë, dhe atyre nuk u lejohet t’u përngjasojnë jobesimtarëve dhe idhujtarëve në diçka që është e veçantë për festat e tyre.
    2. Festat e myslimanëve janë që të afrojnë tek Allahu. Në to madhërohet Allahu, paraqitet gëzimi dhe lumturia për begatinë e dhënë dhe si festa janë të lidhura ngushtë me adhurime të mëdha.
    3. Fitër Bajrami vjen me përfundimin e muajit të agjërimit dhe të teravive, a Kurban Bajrami bie në mes të riteve të mëdha të haxhit dhe para tij është dita e Arafatit, dita më e mirë nga të gjitha ditët e vitit. Të dyja festat janë të lidhura me një shtyllë prej shtyllave të Islamit, që nënkupton se festat tona vijnë pas përfundimit të adhurimit të Allahut, Zotit të botëve.
    4. Një nga veprat e mëdha të ditës së Fitër Bajramit është nxjerrja e zekatit të fitrit para se të falet namazi i Bajramit. Zekati i fitrit është pastrim për agjëruesin dhe ushqim për të varfrin.[3]
    5. Ndalohet agjërimi në ditën e Bajramit, duke u bazuar në hadithin që e përcjell Ebu Seid el-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, ndaloi të agjërohet këto dy ditë, dita e Fitër Bajramit dhe dita e Kurban Bajramit.[4]
    6. Një ndër sunetet e mëdha të ditës së Bajramit është tekbiri. Allahu tha: “Ai dëshiron që ta plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare: 185)
    7. Ligjërohet tekbiri i papërcaktuar[5] në Fitër Bajram, prej perëndimit të diellit të natës së Bajramit e deri kur imami del për ta falur namazin.[6]
    8. Tekbiri në Kurban Bajram është i papërcaktuar dhe i përcaktuar:

    Tekbiri papërcaktuar shqiptohet në çdo kohë, çdo  gjendje dhe çdo vend, dhe përfundon ditën e katërt të Bajramit me perëndimin e diellit.

    Tekbiri përcaktuar shqiptohet pas namazeve farz. Fillon prej namazit të sabahut në ditën e Arafatit e deri në ditën e katërt të Bajramit pas farzit të namazit të ikindisë.

    1. Prej formave të tekbirit që përcillen prej të parëve tanë: “Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahi elhamd.” Është përcjellë edhe me tri tekbire d.m.th. tri herë të shqiptohet Allahu ekber.

    Prej formave të tjera që përcillen është edhe: “Allahu ekber kebiren, Allahu ekber kebiren, Allahu ekber ue exhel’l, Allahu ekber ue lilahi el hamd”

    Dhe disa në fund e shtuan edhe shtojcën: “Allahu ekberu ala ma hadana

    1. Prej sunetit është që tekbiri të shqiptohet me zë të lartë, ngase nëpërmjet tyre paraqiten ritet e Islamit dhe rikujtohet tjetri. Pëlqehet që njerëzit të bëjnë tekbir në ditën e Bajramit, në xhami dhe në shtëpitë e tyre dhe nëpër rrugë, qofshin udhëtarë apo vendasë.[7] Përcjell el-Farjabij me zinxhir të vërtetë prej Ebu Abdurrahman es-Sulemij se ka thënë: “Gjatë Fitër Bajramit ishin më të zëshëm me tekbir sesa gjatë Kurban Bajramit.”
    2. Unanimisht nuk ligjërohet tekbiri kolektiv, ku një grup njerëzish e fillojnë së bashku dhe e mbarojnë së bashku me një zë të vetëm nga fillimi e deri në fund, apo ndahen në dy grupe dhe njëri grup bën tekbir e tjetri i përgjigjet dhe i përsërit fjalët e grupit të parë. Kjo formë është e re në fe dhe bie në kundërshtim me udhëzimin e të parëve tanë të mirë.

    Mënyra e drejtë është që tekbiri të bëhet individualisht dhe nëse ndodh që zërat të përputhen në mes vete, kjo nuk është problem nëse bëhet pa qëllim.

    1. Prej udhëzimit të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në ditën e Bajramit ishte rregullimi, zbukurimi dhe parfumosja dhe veshja e rrobave të reja, prandaj edhe pëlqehet për burrat t’i veshin rrobat më të bukura që i kanë në posedim.
    2. Gruaja duhet të përkujdeset që të dalë e mbuluar sipas rregullave fetare dhe të mos veshë rroba të zbukuruara gjatë daljes së saj për te faltorja e Bajramit, bazuar në fjalët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Gratë le të dalin (për në xhami), mirëpo jo të zbukuruara.”[8] D.m.th. le të dalin me rrobat e tyre të zakonshme dhe jo rroba të lakuriqësisë dhe të mos dalin në rrugë të parfumosura, kurse burri nuk duhet të harrojë se ai është përgjegjës për familjen e tij dhe se ai do ta japë llogarinë para Allahut për kopenë e tij.
    3. Nga rregullat dhe etika e Bajramit është që myslimani t’ia urojë festën myslimanit me urim të bukur që përmban fjalë të bukura dhe të lejuara, çfarëdo qofshin ato. Kjo është nga virtytet e larta të moralit dhe nga shfaqja e mirësive shoqërore në mes të myslimanëve, si p.sh. urimi i njëri-tjetrit me fjalën: “Allahu na i pranoftë neve dhe juve (adhurimet dhe veprat e mira)”, apo “Urime Bajramin”, dhe të ngjashme me to nga fjalët e lejuara për urim.

    Shokët e Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur takoheshin ditën e Bajramit ia uronin njëri-tjetrit duke thënë: “Allahu na i pranoftë neve dhe juve (adhurimet dhe veprat e mira).”[9]

    1. Namazi i Bajramit është nga ritet e mëdha të fesë. Për burrat të falet namazi është detyrim, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, sepse Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, urdhëroi që të falet, dhe pas vdekjes së tij katër halifët e vazhduan të njëjtën traditë.
    2. Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit. Preferohet që në Fitër Bajram namazi të vonohet disa minuta,[10] kurse të përshpejtohet në Kurban Bajram[11], duke e ndjekur traditën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.
    3. Pëlqehet që trupi të pastrohet për namaz të Bajramit, siç përcillet nga Seid ibën el-Musejib, Allahu e mëshiroftë, i cili tha: “Veprat që pëlqehen në ditën e Bajramit janë tri: të ecurit në këmbë deri në faltoren e Bajramit, ngrënia para daljes nga shtëpia për në faltore dhe pastrimi i trupit.”

    Më mirë është që koha e pastrimit të jetë pas namazit të sabahut, po edhe nëse pastrohet para sabahut, bën dhe nuk është problem.

    1. Prej suneteve të braktisura është ngrënia para daljes për në namaz të Fitër Bajramit. Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Fitër Bajram nuk dilte nga shtëpia derisa nuk hante hurma dhe numri i tyre ishte tek.[12]
    2. Ndërsa në Kurban Bajram prej suneti është që të mos hajë derisa të kthehet nga namazi, ta therë kurbanin dhe të hajë nga mishi i kurbanit të tij.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, për Kurban Bajram nuk hante derisa e falte namazin e Bajramit.[13]

    Nëse myslimani nuk ka kurban për të therur “për të nuk ligjërohet të abstenojë nga ushqimi para namazi, dhe ai mundet të zgjedhë, nëse ha para se të dalë për në namaz nuk i themi se e ke kundërshtuar sunetin me veprimin tënd.”[14]

    1. Pëlqehet që myslimani të shkojë sa më herët në faltoren e Bajramit [15] dhe të jetë sa më afër imamit në rreshtin e parë, kjo është më nxitëse për në vepra të mira dhe kjo ishte edhe tradita e shokëve të Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të. Përcillet që Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, dilte nga shtëpia për në faltore pas lindjes së diellit dhe kur arrinte te faltorja njerëzit vetëm se kishin ardhur më herët.
    2. Pëlqehet që myslimani të bëjë tekbir me zë të lartë duke shkuar rrugës për në faltoren e Bajramit. Përcillet se Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Fitër Bajram bënte tekbir[16] që nga momenti kur dilte nga shtëpia derisa arrinte te faltorja dhe derisa fillonte me namazin e Bajramit.[17]

    Përcillet me një transmetim të saktë se Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, ditën e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit, bënte tekbir me zë të lartë që kur dilte nga shtëpia e tij, e derisa mbërrinte në faltore. Pas kësaj bënte tekbir derisa vinte imami dhe me ardhjen e imamit ndalej, e nëse imami bënte tekbir edhe ai bënte tekbir.

    1. Pëlqehet që myslimani për në faltoren e Bajramit të shkojë në këmbë dhe të ecën i qetë. Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell se Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, shkonte për në faltore në këmbë dhe kthehej në këmbë.”[18]
    2. Pëlqehet që të shkohet për në faltoren e Bajramit nga njëra rrugë dhe kthimi pas faljes së namazit të jetë nga rruga tjetër, kështu veproi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të. Urtësia qëndron në atë se rrugët do të dëshmojnë për atë që eci nëpër to dhe do të dëshmojnë banorët e saj nga njerëzit dhe xhinët, nëpër to do të paraqiten ritet e Islamit, do të shpresohet në ndryshimin e gjendjes drejt faljes dhe të kënaqurit e Allahut, dhe do t’i përshëndesë vëllezërit e tij myslimanë si dhe të afërmit.
    3. Nga sunetet e Bajramit është falja e namazit jashtë ndërtesave, nuk falet nëpër xhami përveç në raste nevoje apo domosdoshmërie, sepse Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në vazhdimësi e falte atë në shkretëtirë dhe nuk e falte në xhaminë e tij, e që është xhamia më e mirë pas xhamisë së shenjtë në Meke.

    Dijetarët e veçojnë faljen e namazit të Bajramit në xhami vetëm për banorët e Mekës, sepse ata namazin e Bajramit e falin në xhaminë e shenjtë në Meke (el-Mesxhid el-Haram).

    1. Namazi i Bajramit falet nëpër qytete dhe fshatra dhe nuk ligjërohet të falet në shkretëtirë dhe në udhëtim, kështu ka ardhur në sunetin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe nuk ka ardhur argument se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe sahabët, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, e kanë falur namazin e Bajramit në udhëtim e as në shkretëtirë.

    Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur e bëri haxhin e lamtumirës, atë vit dita e Arafatit ra në ditën e xhuma dhe namazin e xhumasë nuk e fali në Arafat dhe të nesërmen nuk e fali as namazin e Bajramit në Mina. Vitin kur u nis për ta çliruar Mekën, udhëtoi për në Meke dhe aty qëndroi deri në fillim të muajit Sheval dhe aty e zuri Bajrami dhe nuk transmetohet se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e fali namazin e Bajramit në të.[19]

    1. Për në faltore përveç burrave dalin edhe fëmijët, gratë dhe ato që janë me menstruacione, që të prezantojnë në mirësinë dhe lutjet e myslimanëve. Ummu Atijeh, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, tha: “Jemi urdhëruar që në të dy bajramet, Fitër dhe Kurban Bajrami, me ne grave të dalin edhe vajzat e reja dhe gratë me menstruacione, dhe të prezantojnë në mirësinë dhe lutjet e myslimanëve, kurse gratë me menstruacione janë urdhëruar që mos t’u afrohen faltoreve (por të qëndrojnë pak anash vendfaljes së xhematit.’’[20]
    2. Namazi i Bajramit falet dy rekate dhe imami në to lexon me zë. Në rekatin e parë e merr tekbirin fillestar, e pas saj i merr edhe shtatë tekbire të tjera dhe më pas e lexon suren el-Fatiha dhe një sure tjetër apo disa vargje nga Kurani.

    Në rekatin e dytë ngritet duke marrë tekbir dhe pasi drejtohet në këmbë i merr edhe pesë tekbire të tjera, e më pas e lexon suren el-Fatiha dhe një sure apo disa vargje nga Kurani.[21]

    Gjatë çdo tekbiri pëlqehet të ngriten duart si në tekbirin fillestar.

    1. Përcillet se Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në mes të tekbireve të namazit të Bajramit e falënderonte dhe e lavdëronte Allahun dhe dërgonte salavate mbi Pejgamberin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të.[22]
    2. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, përcillet se në dy bajramet në namaz e lexonte suren El’A’la në rekatin e parë dhe suren El-Gashije në rekatin e dytë.[23]

    Po ashtu përcillet se në rekatin e parë e lexoi suren KÂF dhe në rekatin e dytë El-Kamer.[24]

    1. Nëse vjen me vonesë ndokush nga xhemati dhe i lidhet imamit kur imami është duke i shqiptuar tekbiret shtesë, i shqipton edhe ai tekbiret me imamin dhe e pason atë në namaz dhe nuk detyrohet t’i kompensojë tekbiret e humbura, a nëse i ik rekati e kompenson sipas mënyrës që falet.
    2. Namazi i Bajramit nuk ka ezan e as ikamet. Xhabir ibën Semureh, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se jam falur me Pejgamberin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Fitër dhe Kurban Bajram, edhe atë jo vetëm një apo dy herë, dhe çdo herë e ka falur pa ezan dhe pa ikamet.[25]
    3. Imami njëherë fillon me namaz e pastaj e mban hutben. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, hutben e hapte duke e falënderuar Allahun dhe nuk përcillet se hutben e hapte me tekbir, qoftë për Fitër apo Kurban Bajram.
    4. Hutbeja e Bajramit është sunet dhe prezenca apo dëgjimi i saj nuk është i patjetërsueshëm, sepse Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, pasi e fali Bajramin tha: “Kush do që të shkojë le të shkojë dhe kush do që të qëndrojë dhe ta dëgjojë hutben le të qëndrojë.”[26].
    5. Kujt i ik namazi i Bajramit, mendimi më i saktë është se pëlqehet ta kompensojë namazin dhe ta falë në formën e vet, pra dy rekate, dhe pa hutbe pas saj.
    6. Kush del për ta falur namazin e Bajramit dhe i ik namazi dhe e gjen imamin duke e mbajtur hutben, le të ulet ta dëgjojë imamin, e pastaj le ta falë namazin, kështu të bashkojë në mes dy dobive.
    7. Para dhe pas namazit të Bajramit nuk ka namaz nafile (vullnetar), ngase Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, ditën e Bajramit e fali namazin e Bajramit dy rekate dhe nuk fali para apo pas namazit ndonjë namaz tjetër.[27]

    A nëse e fal namazin e Bajramit në xhami, atëherë i fal dy rekate për xhaminë kur të hyjë në xhami.

    1. Nëse bie Bajrami ditën e xhumasë, atij që e ka falur Bajramin i lehtësohet që të mos e falë xhumanë, bazuar në fjalën e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Sot në këtë ditë ju janë bashkuar dy festa, prandaj kush dëshiron të mos e falë namazin e xhumasë, i mjafton namazi i Bajramit. Po gjithsesi ne do të falim edhe xhumanë.”[28]

    Nëse nuk e fal xhumanë duhet ta falë namazin e drekës në kohën e vet në shtëpi, vetë apo me xhemat, e nëse shkon për ta falur namazin e xhumasë kjo është më e mirë.

    Nuk ligjërohet që namazi i drekës të falet nëpër xhami, madje nuk lejohet që në këtë ditë të hapen xhamitë e as të thirret ezani për namazin e drekës[29]. [30]

    1. Thënia se për atë që e fal Bajramin bie namazi i xhumasë dhe namazi i drekës është gabim, që e kundërshton sunetin dhe mendim jo i drejtë dhe dijetarët e mohojnë atë.[31]
    2. Ai që nuk e fal namazin e Bajramit, për të nuk bie detyrshmëria e faljes së namazit të xhumasë. Ai duhet të shkojë në xhami për ta falur xhumanë, e nëse brenda në xhami numri i xhematit nuk e arrin numrin e mjaftueshëm që e detyron namazin e xhumasë, atëherë e fal namazin e drekës.[32]
    3. Për imamin e xhamisë nuk bie detyrshmëria e namazit të xhumasë, ai detyrohet ta falë atë, nëse në xhami vijnë numër i mjaftueshëm për xhuma, që nuk e kanë falur namazin e Bajramit apo e kanë falur Bajramin mirëpo duan ta falin edhe xhumanë.[33]
    4. Nga etika dhe rregullat e Bajramit është respektimi i lidhjeve farefisnore me vizita, me dhurata, interesimi për ta me telefonata dhe afrimi i zemrave të njëri-tjetrit.
    5. Dita e Bajramit është ditë e nënshtrimeve dhe e afrimit tek Allahu me vepra të mira dhe ditë falënderimi të Allahut për plotësimin e begatisë, nuk është ditë e mëkateve dhe veprimit të ndalesave. Nuk i ka hije një myslimani që Bajramin ta shndërrojë në ditë të bërjes së gjynaheve dhe organizimit të koncerteve muzikore dhe pirjes së alkoolit.[34]
    6. Nata e Bajramit nuk lejohet të veçohet nga netët e tjera të vitit me namaz nate, përveç për atë që e ka traditë namazin e natës gjatë netëve të tjera të vitit, në këtë rast nuk ka problem nëse ngritet natën e Bajramit dhe fal namaz nate, kurse hadithet që kanë ardhur për vlerën e ngjalljes së natës të Bajramit me namaz nate nuk janë të sakta.
    7. Prej gabimeve që bëhen atë ditë është përzierja e grave me burra në faltoren e Bajramit apo edhe nëpër xhami, kjo është sprovë për të dy gjinitë, kështu që burrat dhe të rinjtë është më mirë të mos largohen nga faltorja apo xhamia vetëm pasi të dalin gratë prej aty.
    8. Duhet përkujdesur që në ditën e Bajramit të ulet shikimi dhe të ruhet dëgjimi dhe shpirti nga harami.

    Njëri nga shokët e Sufjan eth-Theuriut, Allahu e mëshiroftë, tha: “Dola me të ditën e Bajramit dhe më tha: ‘Gjëja e parë që do të fillojmë me të sot është ulja e shikimit’.”

    Kur u kthye në shtëpi Hasan ibën Ebi Sinan, Allahu e mëshiroftë, nga falja e namazit të Bajramit, gruaja e tij i tha: “Sa gra të bukura rrugës i shikove?!” U përgjigj: “Prej kur dola e deri kur u ktheva në shtëpi nuk shikova, përveçse në gishtin e madh të këmbës.”

    1. Pëlqehet shfaqja e gëzimit me rastin e Bajramit, ndërsa dëfrimi dhe të kënaqurit e vetes dhe familjes dhe fëmijëve është i nevojshëm dhe i kërkuar, nëse në të nuk ka diçka që bie ndesh me parimet fetare.

    Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “Ishte ditë Bajrami, ndërkohë që disa habeshinj (abisinas) po luanin me disa mburoja prej lëkure dhe me shtiza. Nuk më kujtohet se a e pyeta Pejgamberin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, apo ai më tha:
    “A do të shohësh?”

    “Po” – i thashë. Ai më ngriti lart pas tij, derisa faqja ime e prekte faqen e tij, kurse Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Vazhdoni , o Beni Erfide.”[35]

    1. Lejohet që për Bajram fëmijëve t’u jepet hapësirë dhe mundësi për dëfrim dhe lojëra të lejuara, madje kjo llogaritet adhurim dhe afrim tek Allahu, sepse fut gëzim në shpirtrat e tyre dhe me një hadith të Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, përcillet se ka thënë: “Qe ta dinë çifutët se në fenë tonë ka hapësirë për gëzim dhe se jam i dërguar me fe të pastër dhe tolerante.”[36]
    2. Bajrami është shkak dhe rast për gëzim. Në të duhet të shfaqen pamjet e gëzimit dhe diçka nga dëfrimi që e ka lejuar feja, si p.sh. gratë t’i bien defit.

    Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, hyri tek unë në shtëpi, ndërsa brenda dy vajza të reja në moshë (që nuk e kishin arritur moshën e pubertetit) po këndonin dhe i binin defit, ndërkohë Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, e kishte mbuluar fytyrën me petk, kurse Ebu Bekri kur i pa ashtu iu foli ashpër dhe Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, e shpalosi fytyrën dhe  i tha: ‘Lëri o Ebu Bekër! Këto ditë janë ditë feste’.”[37]

    Kjo aludon se lejohet që gratë t’i bien defit për Bajram dhe se lejohet këndimi me fjalë dhe poezi të lejuara fetarisht, mirëpo kjo assesi nuk aludon se lejohet përdorimi i muzikës dhe veglave dhe mjeteve muzikore për Bajram, ashtu si ceket nëpër argumente, përveç defit i cili u veçua në këtë rast.

    1. Po ashtu është vërtetuar se grave u lejohet t’i bien defit në ditët e Teshrikut (ditët e Teshrikut janë tri ditët vijuese pas ditës së parë të Kurban Bajramit, e të cilat janë: Dita e 11-të, e 12-të dhe e 13-të e muajit Dhulhixhe).

    Ngjarja që u cek në hadithin e mëparshëm të Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, ishte në ditët e qëndrimit në Mina. Në hadith përcillet se: “Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, hyri tek Aisha dhe brenda i pa dy vajza të reja në moshë (që nuk e kishin arritur moshën e pubertetit) po këndonin dhe i binin defit në ditët e qëndrimit në Mina.”[38]

    Ditët e qëndrimit në Mina janë ditët e Teshrikut

    .

    1. Në Bajram kanë filluar të përdoren disa lojëra të rrezikshme, që i dëmtojnë njerëzit nëpër rrugë apo shtëpitë e tyre, në to bëjnë pjesë raketat dhe fishekzjarret, dhe largimi i tyre është çështje e patjetërsueshme. Këto gjëra e harxhojnë pasurinë, e dëmtojnë trupin, u pengojnë dhe u bëjnë zhurmë njerëzve nëpër shtëpitë e tyre.

    E lus Allahun që t’i zbukurojë ditët tona me adhurime ndaj Tij, të na i mbushë shtëpitë dhe zemrat tona përplot gëzim dhe lumturi me begatitë e Tij, dhe t’i pranojë nga ne dhe nga myslimanët veprat e mira. Amin.

    Falënderimi i takon vetëm Allahut.

     

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Pjesë e librit Sezonet e adhurimit – i përkthyer në shqip)

     

    [1] Ebu Davud (1134), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [2] Buhariu (952), Muslimi (298).

    [3] Këtu për qëllim është Fitër Bajrami, kurse në Kurban Bajram nuk jepet ndonjë lloj zekati, po preferohet të theret kurban, dhe koha e therjes fillon pasi të falet namazi i Bajramit, kurse kafsha që theret para se të falet namazi i Bajramit është mish i thjeshtë dhe jo mish kurbani. (sh.p.)

    [4] Buhariu (1991), Muslimi (827).

    [5] Dijetarët tekbirin e ndajnë në të papërcaktuar dhe të përcaktuar. Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, thotë se dallimi mes dy llojeve të tekbirit është se tekbiri i papërcaktuar shqiptohet në çdo kohë, kurse ai i përcaktuar shqiptohet vetëm pas çdo namazi farz në Kurban Bajram. Koha e tekbirit të papërcaktuar në Kurban Bajram fillon me hyrjen e muajit Dhulhixhe e deri në ditën e katërt të Bajramit kur perëndon dielli, kurse në Fitër Bajram prej kur perëndon dielli ditën e fundit të muajit Ramazan dhe hyn nata e parë muajit Sheval, e deri kur të falet namazi i Bajramit. Kurse tekbiri i përcaktuar siç e cekin dijetarët fillon prej namazit farzit të sabahut ditën e Arafatit e deri në ditën e katërt të Bajramit pas farzit të namazit të ikindisë. (Mexhmua Fetava ue resail, shejh Uthejmini, vëllimi 16, Kapitulli i Bajramit.) (sh.p.)

    [6] Kjo vlen për Fitër Bajram, kurse në Kurban Bajram tekbiri i papërcaktuar fillon me hyrjen e muajit Dhulhixhe e deri në ditën e katërt të Bajramit kur perëndon dielli, dhe në Kurban Bajram preferohet që prej namazit të sabahut në ditën e Arafatit e deri në namazin e ikindisë të ditës së katërt të Bajramit pas çdo farzi të bëhet tekbir, jashtë tekbirit të papërcaktuar. (sh.p.)

    [7] Kurse për Kurban Bajram e cekëm edhe më herët se preferohet prej ditës së parë muajit Dhulhixhe e deri ditën e trembëdhjetë të muajit Dhulhixhe apo ditën e katërt të Kurban Bajramit. (sh.p.)

    [8] Ebu Davud (565), shejh Albani e saktësoi në Sahih el-Xhami (7457).

    [9] Ibën Haxheri e vlerësoi zinxhirin e tij si të mirë në Fet’hul Barij 92/446).

    [10] Derisa njerëzve t’u jepet kohë për ta nxjerrë zekatin e Fitrit. (sh.p.)

    [11] Kurse në Kurban Bajram preferohet që të përshpejtohet falja e namazit të Bajramit, pasi të hyjë koha e vet, që të ketë më shumë hapësirë për therjen e kurbaneve (sh.p.)

    [12] Shënon Buhariu (953.)

    [13] Tirmidhiu (542), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [14] Esh-Sherh el-Mumti (5/124).

    [15] Imami veçohet këtu, sepse ai vjen më vonë, kur të hyjë koha e namazit të Bajramit dhe menjëherë fillon me namaz. (sh.p.)

    [16] Pëlqehet e njëjta edhe në Kurban Bajram. (sh.p.)

    [17] Përcillet si merfu (zinxhiri përfundon tek Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të) dhe si meukuf (zinxhiri i hadithit përfundon tek ndonjë sahabij), shejh Albani e saktësoi edhe si merfu edhe si meukuf në el-Irva (650).

    [18] Ibën Maxheh (1294), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

    [19] Shih: Fetave Ibën Baz (9/13), dhe sherh el-Mumtia (5/130).

    [20] Buhariu (338), Muslimi (1475).

    [21] Ky është mendimi i imam Shafiut (El-Um 1/395), dhe Ibën Abdulber (El Kafij 1/264). Mendimi i dijetarëve të medh’hebit hanbelij dhe malikij është se merren shtatë tekbire në rekatin e parë përfshirë këtu edhe tekbirin fillestar, kurse në rekatin e dytë merren gjashtë duke përfshirë këtu edhe tekbirin gjatë ngritjes nga sexhdeja e rekatit të parë, pra, para leximit të sures. (El Mudev’vene 1/169, El Kafij 1/264, El Mugni 3/271.) Kurse hanefitë e kanë mendimin se njëherit merret tekbiri fillestar e pastaj lexohet lutja e hapjes së namazit (subhaneke…)  e pastaj merren tri tekbire dhe pastaj lexohet surja el-Fatiha dhe një sure apo disa vargje nga Kurani, kurse në rekatin e dytë imami së pari lexon Fatihanë dhe një sure apo disa vargje nga Kurani, pastaj i merr tri tekbire radhazi, dhe në tekbirin e katërt, përkulet në ruku, (Hashijetu ibën Abidin 2/172). (Marrë nga faqja https://saaid.net/mktarat/eid/79.htm) (sh.p.)

    [22] Et-Taberanij në el-Kebir (9/303), shejh Albani e saktësoi në el-Irva (642).

    [23] Muslimi (887).

    [24] Muslimi (891).

    [25] Muslimi (887).

    [26] En-Nesaij (1571), shejh Albani e vlerësoi si të saktë.

    [27] Buhariu (964), Muslimi (884).

    [28] Ebu Davud (1073), shejh Albani e saktësoi.

    [29] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/119 – koleksioni i dytë)

    [30] Pra nëse xhemati shkon në xhami, atëherë duhet ta falin namazin e xhumasë e jo të drekës. (sh.p.)

    [31] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/120)

    [32] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/119)

    [33] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/119)

    [34] Nuk ligjërohet vizita e varrezave në ditën e Bajramit, kjo ditë është ditë gëzimi. Ndalesa bën pjesë në ndalesën e përgjithshme të Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili ndaloi që varrezat të merren vend feste dhe këtu për qëllim është në kohë të caktuara dhe periudha të njohura nga kuptimi i marrjes së varrezave si vend feste. Kjo vlen për atë që varrezat i viziton vetëm se për Bajram dhe pasi e fal namazin e Bajramit shkon njëherë bën bajram me të vdekurit e pastaj shkon te të gjallët nga familja, në këtë rast ky njeri gabon sepse kjo ditë është ditë feste dhe ajo festohet me të gjallët, e jo me të vdekurit. (sh.p.)

    [35] Buhariu (950), Muslimi (892).

    [36] Imam Ahmedi (24855), shejh Albani e vlerësoi si të mirë në es-Sahiha (4/443)

    [37] Buhariu (3529), Muslimi (892).

    [38] Buhariu (987), Muslimi (892).

  • ZEKATI I FITRIT – RREGULLA DHE DOBI

    ZEKATI I FITRIT – RREGULLA DHE DOBI

    1. Zekati i fitrit bën pjesë në adhurimet dhe veprat e mëdha që myslimanin e afrojnë tek Allahu, kjo për shkak të lidhshmërisë që e ka zekati i fitrit me agjërimin e Ramazanit, të cilin Allahu ia dedikoi vetes në shenjë nderimi dhe madhështie.
    2. Zekati i fitrit është lëmoshë që detyrohet të jepet me mbarimin e agjërimit të Ramazanit, dhe fjala ‘zekat’ iu shtua fjalës ‘fitër’, sepse ndërprerja e agjërimit u bë shkak që të jepet zekati.
    3. Zekati i fitrit u detyrua për dy shkaqe:

    Shkaku i parë: Të jetë për agjëruesin pastrim nga gabimet dhe fjalët e ndyta. Vekia ibën el-Xherah tha: “Zekati i fitrit për muajin e Ramazanit është si dy sexhdet e harresës për namazin, i plotëson mangësitë në agjërim ashtu si e plotësojnë sexhdet mangësinë në namaz.”

    Shkaku i dytë: Zekati i fitrit është ushqim për të ngratët në Ditën e Bajramit.

    1. Atë që e synon zekati i fitrit është të shpenzohet për të ngratët dhe të varfrit nevojtarë, që ata të mos ndiejnë nevojë për të lypur apo për t’ua shtrirë dorën të tjerëve për Bajram, kjo ditë është ditë feste dhe gëzimi, e t’ia shtrish dorën tjetrit për Bajram është përbuzje dhe nënçmim.

    Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e detyroi dhënien e zekatit të fitrit si pastrim për agjëruesin nga gabimet dhe fjalët e ndyta dhe ushqim për të ngratët.”[1]

    1. “I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!” (El-A’la: 14-15); në këto vargje të sures El-A’la, ku thuhet se Allahu për qëllim e ka zekatin e fitrit.

    Përcillet se Omer ibën Abdulazizi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ajetet i komentoi duke thënë: “E dha zekatin e fitrit, e më pas doli për në namaz (namazin e Bajramit).”

    1. Zekati i fitrit i obligohet çdo myslimani. Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur nga ata të dy, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nxjerrjen e zekatit të fitrit ia detyroi çdo myslimani, i lirë apo skllav, mashkull apo femër.[2]
    2. Nxjerrja e fitrave i detyrohet çdo myslimani, agjëroi apo nuk agjëroi, fëmijë apo i madh, madje edhe për fëmijën që është në djep dhe për gruan që gjatë muajit të Ramazanit nuk e agjëroi asnjë ditë për shkak të lehonisë.
    3. Për fëmijën që është në barkun e nënës zekati i fitrit nuk detyrohet të jepet, por pëlqehet dhe dijetarët janë unikë në mes tyre për këtë rregull.
    4. Nxjerrja e zekatit të fitrit detyrohet kur perëndon dielli në ditën e fundit të Ramazanit, andaj kush martohet apo i lind fëmijë apo e pranon Islamin para se të perëndojë dielli e ka për detyrë ta japë atë, e nëse ndodhin pas perëndimit të diellit atëherë nuk detyrohet.
    5. Kush vdes para se ta arrijë kohën e nxjerrjes së zekatit të fitrit, për të nuk jepen fitrat, kurse ai që vdes pasi të hyjë koha e nxjerrjes dhe ende nuk e ka nxjerrë zekatin e fitrit, për të e jepin trashëgimtarët e tij nga pasuria e tij, sepse ajo i është bërë detyrim dhe i ka mbetur si borxh.
    6. Zekati i fitrit nuk ka nisab[3], kriteri për ta dhënë zekatin e fitrit është që kush posedon ushqim më tepër sesa që është i mjaftueshëm për veten dhe familjen e tij, për në ditën dhe në natën e Bajramit, detyrohet ta japë zekatin e fitrit.
    7. Myslimani zekatin e fitrit e jep për veten dhe e jep për ata që është i detyruar të shpenzojë.[4] Pra, e jep për veten dhe për gruan, edhe nëse ajo ka pasuri, për fëmijët dhe prindërit e tij të varfër, dhe për vajzën e fejuar që ende nuk ka shkuar te burri i saj.
    8. Nëse fëmija ka pasuri, në këtë rast prindi nuk detyrohet që ta japë zekatin e fitrit për të.
    9. Kur burri e divorcon gruan dhe divorci është kthyes, d.m.th. është hera e parë apo e dyta që e ndan, zekatin e fitrit për gruan e jep burri i saj[5], kurse nëse divorci është i përhershëm, d.m.th. e ka divorcuar tri herë, atëherë gruaja e jep për veten e saj.
    10. Fëmija nuk e ka për detyrë që ta japë zekatin e fitrit për gruan e babait të tij të varfër (njerkën), ngase detyrshmëria e shpenzimit për gruan e babait nuk bie mbi të.
    11. Fëmija përderisa ka mundësi financiare, e jep vet zekatin e fitrit për veten e tij. Nëse edhe prindi i tij e jep për të, nuk është problem dhe nuk dëmton gjë, e në veçanti nëse prindi është mësuar që për çdo vit ta japë zekatin e fitrit për fëmijët, edhe pse janë të rritur dhe të punësuar, ai prapë dëshiron që ta vazhdojë këtë traditë të tij.
    12. Nëse dëshiron dikush që zekatin e fitrit ta japë për dikë që nuk e ka detyrim ta japë për të, patjetër e ka të marrë leje prej tij.
    13. Pronari i punëtorisë nuk detyrohet që ta japë zekatin e fitrit për shërbëtorin apo punëtorin e tij, mirëpo nëse e jep vullnetarisht për të, nuk është problem, vetëm se duhet ta lajmërojë atë paraprakisht që ta bëjë nijetin, ngase zekati i fitrit është adhurim dhe në adhurim patjetër duhet nijeti.
    14. Ai që vullnetarisht kujdeset për jetimin, nuk detyrohet ta japë zekatin e fitrit për jetimin, kurse nëse jetimi posedon pasuri të veten, zekatin e fitrit e jep vetë jetimi nga ajo pasuri, e nëse nuk posedon pasuri, atëherë detyrshmëria e zekatit të fitrit për jetimin bie mbi të afërmin e tij që fetarisht detyrohet të shpenzojë për të.
    15. Sasia e zekatit të fitrit është një sa’a[6] nga ushqimi. Argument është hadithi që e përcjell Ebu Seid el-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ku thotë: “Në kohën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, zekatin e fitrit e jepnim një sa’a nga ushqimi.”[7]
    16. Me sa’a për qëllim këtu është një enë mase që e përcaktoi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe që është e barasvlershme me aq sa zënë katër grushta me të dyja duart e një burri shtatmesatar.
    17. Rëndesa dallon sipas sojit të ushqimit që sa’a mbushet me të. Kur të jepet një soj i ushqimit me rëndesë për zekat të fitrit, patjetër të vërtetohet se a është e barasvlershme me të njëjtin soj të ushqimit të matur me sa’a, si p.sh. orizi përafërsisht duhet të rëndojë diku tre kilogramë.
    18. Zekati i fitrit jepet nga çdo lloj ushqimi bazë dominues në vend, si: grurë, misër, oriz, fasule, thjerrëza, humus (qiqra), bathë, dhe ushqime të tjera të ngjashme me to që ushqehen njerëzit në atë vend. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, zekatin e fitrit e përcaktoi të jetë një sa’a nga ushqimi dhe sahabët e nxirrnin një sa’a nga ushqimi që e përdornin vetë ata.
    19. Me ushqim bazë për qëllim janë ushqimet që i përdorin njerëzit dhe që janë bazë dhe dominuese në vazhdimësi, andaj nuk lejohet që si zekat të fitrit të jepet sheqer dhe çaj, edhe pse njerëzit kanë nevojë për to, sepse ato nuk janë nga ushqimet që janë bazë për njerëzit.
    20. Ushqimet që janë bazë dhe ushqyese për njerëzit lejohen të jepen edhe si të konservuara për zekat të fitrit, si batha e konservuar në kuti teneqeje, humusi, misri, bizelja, fasulja dhe të ngjashme me to.
    21. Produktet ushqimore të konservuara përmbajnë edhe gjëra të tjera shtesë, për këtë arsye duhet pasur kujdes që ky fakt të merret parasysh gjatë përcaktimit të rëndesës apo peshës.
    22. Zekati i fitrit lejohet që vullnetarisht të nxirret edhe më shumë se një sa’a dhe ajo tepricë do të llogaritet sadaka për të cilën do të shpërblehet ai që e jep.
    23. Nxjerrja e zekatit të fitrit në formën e të hollave nuk lejohet, sepse Ligjvënësi detyroi të nxirret si produkt ushqimor dhe jo të holla, dhe e përcaktoi edhe sojin e saj, prandaj nuk lejohet të jepet diçka tjetër jashtë asaj që është përcaktuar.[8]
    24. Zekati i fitrit nuk lejohet që të jepet në formën e të hollave dhe me to borxhliu t’i lajë borxhet, apo të operohet i sëmuri, apo të paguhet semestri për studentin dhe të ngjashme me to.

    Ekzistojnë burime të tjera që nevojat e të varfërve mund të plotësohen, si zekati i pasurisë dhe lëmoshat e përgjithshme.

    1. Zekati i fitrit i ka dy kohë të nxjerrjes së tij: kohën e pëlqimit dhe kohën e lejimit.

    Koha e pëlqimit është në mëngjes të Ditës së Bajramit, sepse Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, urdhëroi që zekati i fitrit të nxirret para se të dalin njerëzit për namazin e Bajramit.[9] Prandaj edhe preferohet që falja e namazit të Fitër Bajramit të vonohet me qëllim që të ketë hapësirë të nxjerrjes së zekatit të fitrit.

    1. Kurse koha e lejimit është një apo dy ditë para Bajramit. D.m.th. që koha e parë që lejohet të nxirret zekati i fitrit është nata e 28-të e Ramazanit, sepse shokët e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e jepnin para Bajramit, një apo dy ditë, ndërsa muaji i Ramazanit është 29 apo 30 ditë.

    Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, tha: “E jepnim zekatin e fitrit një apo dy ditë para Bajramit.”[10]

    1. Kush e nxjerr zekatin e fitrit para kohës së lejuar, d.m.th. para natës së 28-të të Ramazanit, ai vetëm se e ka nxjerrë para kohe dhe përsëri detyrohet ta japë atë.
    2. Zekati i fitrit lejohet t’i jepet atij që është besnik apo përfaqësuesit ligjor, si shoqatave bamirëse, që nga fillimi i muajit Ramazan, me kusht që fitrat t’i nxjerrin një apo dy ditë para Bajramit.
    3. Vonimi i nxjerrjes së zekatit të fitrit pasi të falet namazi i Bajramit është haram, ai që e vonon detyrohet që ta japë kaza-kompensim.
    4. Dijetarët janë të ndarë në mes tyre rreth meseles së nxjerrjes së zekatit të fitrit pas namazit të Bajramit. Shumica nga dijetarët janë të mendimit se nxjerrja e fitrave pas namazit të Bajramit urrehet edhe nëse ndodh pranohet si vepër.

    Mirëpo më afër së vërtetës është se nuk lejohet të vonohet dhënia e fitrave pas namazit të  Bajramit bazuar në hadithin: “Kush e nxjerr zekatin e fitrit para namazit, llogaritet zekat i pranuar, a kush e jep pas namazit, llogaritet sadaka nga sadakatë.” [11]

    Kur vonohet nxjerrja e fitrave humbet edhe kuptimi i vërtetë që synohet nga zekati i fitrit, plotësimi i nevojave të të varfërve në ditën e gëzimit, andaj kush e vonon pa arsye bën gjynah dhe detyrohet ta japë kaza.

    1. “Fukahatë[12] njëzëri janë të pajtimit se zekati i fitrit nuk bie poqë del koha e tij, sepse ai që detyrohet t’i japë fitrat e ka për borxh t’ua japë atyre që e meritojnë dhe ky borxh nuk lahet përveçse me dhënien e tij, sepse është hak i njeriut, kurse për hakun e Allahut, që vonohet nxjerrja e zekatit të fitrit pasi të kalojë koha e tij, duhet bërë kërkim falje dhe pendim, sepse prej hakut të Allahut është të jepet në kohën e vet.”[13]
    2. Kur ai që duhet ta japë zekatin e fitrit e angazhon dikë tjetër për ta dhënë në vend të tij, përgjegjësia i mbetet përderisa nuk vërtetohet që i besuari i tij e ka nxjerrë dhe e ka dhënë atë realisht.
    3. Shoqatat bamirëse lejohet që nga pasuria e tyre t’i blejnë ushqimet, të cilat jepen për zekat të fitrit, gjatë Ramazanit apo para tij, e pastaj ato ushqime t’ua shesin atyre që dëshirojnë ta japin zekatin e fitrit. Po ashtu, shoqatave u lejohet ta marrin përgjegjësinë dhe besueshmërinë që për të tjerët ta nxjerrin zekatin e fitrit, një apo dy ditë para Bajramit.
    4. Nuk u lejohet shoqatave që ta nxjerrin zekatin e fitrit për të tjerët para se të kërkohet prej tyre që ta bëjnë një gjë të tillë, e më pas t’i kërkojnë të hollat për fitrat e shpërndara.
    5. Zekati i fitrit u jepet të tetë grupeve të përmendura në Kuran që u jepet zekati i pasurisë. Ka edhe një mendim tjetër të dijetarëve se zekati i fitrit iu takon vetëm të varfërve dhe të mjerëve, dhe jo të tjerëve. Këtij mendimi i takon Ibën Tejmije dhe Ibën el-Kajimi, Allahu i mëshiroftë, nga dijetarët e vjetër, dhe Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, nga dijetarët bashkëkohorë.
    6. Dhënësi i zekatit të fitrit, sipas mundësive, duhet të hulumtojë t’i gjejë të varfrit që e meritojnë, e nëse më vonë del në pah se ai që i mori fitrat është pasanik, kjo nuk e dëmton atë që i dha fitrat dhe zekati i fitrit i tij është i pranuar.
    7. Kur të vijë dikush dhe kërkon t’i jepet zekati i fitrit, të folurit, veshja dhe pamja e tij aludojnë se e meriton zekatin e fitrit, jepja atij. Ti gjyko sipas pamjes së jashtme, kurse Allahut i takon gjykimi sipas zemrave.
    8. Nuk lejohet që zekati i fitrit të jepet dhe investohet në ndërtimin e xhamive dhe projekteve bamirëse.
    9. Lejohet që fitrat e një personi t’i jepen një grupi të njerëzve dhe njashtu fitrat e një grupi t’i jepen një personi.
    10. Kur i varfri e merr nga tjetri zekatin e fitrit dhe i tepron, pra fitrat janë më tepër sesa nevoja e tij, i lejohet atij që atë tepricë, nëse është e plotë dhe e arrin sasinë e zekatit të fitrit, ta japë si zekat të fitrit për veten apo për dikë nga familja e tij që e ka për detyrë të shpenzojë për të.
    11. Dijetarët janë të pajtimit se nuk lejohet zekati i fitrit t’u jepet atyre që njeriu e ka për detyrë të shpenzojë për ta, sikurse prindërve dhe fëmijëve.
    12. Zekati i fitrit lejohet që t’u jepet akrabave të varfër, madje nëse u jepet atyre është më e mirë sesa t’u jepet atyre që janë më të largët, sepse dhënia për akrabatë llogaritet sadaka dhe respektim i lidhjeve farefisnore.
    13. Zekati i fitrit jepet për myslimanët e varfër të vendit, pavarësisht se pasuria e atij që i jep fitrat a gjendet në atë vend apo jo, dhe lejohet që fitrat të transferohen në vende të tjera për të varfrit e tyre nëse ka nevojë, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve.
    14. Zekati i fitrit nuk lejohet që t’u jepet jomyslimanëve.
    15. Një ndër gabimet që bëhen është nxjerrja e produkteve ushqimore jokualitative dhe jo të mira për zekat të fitrit. Allahu është i Miri dhe nuk pranon veçse të mirën.

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    (Pjesë e librit Sezonet e adhurimit – i përkthyer në shqip)

     

    [1] Ebu Davud (1371) me zinxhir të mirë.

    [2] Buhariu dhe Muslimi.

    [3] Nisab është sasia e caktuar e pasurisë me Sheriat, kështu që kur arrihet kjo sasi – nisabi, hyn në fuqi obligimi për dhënien e zekatit. (sh.p)

    [4] Ka edhe mendim tjetër të dijetarëve që e cekin zekatin e fitrit e jep secili për veten e tij dhe nuk detyrohet që burri ta jepë për të tjerët, e nëse vullnetarisht e bën këtë, kjo është vepër e mirë nga ana e tij. (Burimi: https://islamqa.info/ar/99353). (sh.p.)

    [5] Përderisa gruaja është në iddet (ditët e pritjes), ajo ende është grua e burrit të saj, dhe burri e ka për detyrë të shpenzojë për të, e këtu përfshihet edhe dhënia e zekati të fitrit për të, përderisa është në ditët e pritjes. Disa nga dijetarët e kanë mendimin se burri në këtë periudhë nuk duhet ta jepë zekatin e fitrit për gruan e tij të divorcuar dhe ajo vetë duhet ta japë atë. Ky është medh’hebi i Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë, dhe këtë mendim e ka shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë. Mirëpo ajo më e mira është që ta japë burri gjatë kësaj periudhe që për çdo rast e largon përgjegjësinë e vet, duke e pasur parasysh se zekati i Fitrit nuk kushton shumë dhe është pak dhe nuk e rëndon atë. (Burimi: https://islamqa.info/ar/99585). (sh.p.)

    [6] Sa’a është një sasi matëse e barabartë me katër ‘mud’ dhe një ‘mud’ është i barabartë me një grusht me të dyja duart e një burri shtatmesatar. (sh.p)

    [7] Buhariu dhe Muslimi.

    [8] Ky është mendimi i imam Malikut, Shafiut dhe Ahmedit, Allahu i mëshiroftë, duke u bazuar në atë që edhe në kohën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka pasur dinar dhe dërhem, mirëpo nuk i ka urdhëruar të jepin të holla, por ushqim i cili është bazë dhe dominues që e përdorin njerëzit në atë vend. Imam Ebu Hanife, Allahu e mëshiroftë, e ka mendimin se lejohet dhënia e zekatit të Fitrit edhe të holla përveç ushqimit. Është edhe një mendim tjetër, mendimi i Ibën Tejmijes, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë që lejohet të jepet zekati i Fitrit në formë të të hollave në raste nevoje apo dobie të qartë, përndryshe detyrohet të jepet ushqim. (Burimi: http://fatwa.islamweb.net/fatwa/index.php?page=showfatwa&Option=FatwaId&Id=140294). (sh.p.)

    [9] Buhariu dhe Muslimi.

    [10] Buhariu (1511).

    [11] Ebu Davud (1371), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të mirë.

    [12] Dijetarët e jurispondencës islame. (sh.p.)

    [13] El-Meusua el-fikhije (23/341).

  • ITIKAFI – DISPOZITA DHE DOBI

    ITIKAFI – DISPOZITA DHE DOBI

    1. Itikaf nga aspekti gjuhësor nënkupton të jepesh shumë pas diçkaje, të jesh i pandarë, i pashkëputur nga diçka dhe të jesh i vazhdueshëm në të.

    Kurse itikaf nga aspekti terminologjik fetar nënkupton të qëndrosh dhe të vetmohesh në xhami me nijet adhurimi dhe afrimi për tek Allahu. Ai i cili qëndron në xhami dhe vetmohet në të për adhurim i thuhet ‘akif ’[1] dhe ‘muatekif’[2].

    1. Realiteti i itikafit dhe synimi i tij është që zemra të këmbëngulë drejt Allahut dhe të vetmohet me Atë. Ai që dëshiron të qëndrojë në itikaf duhet t’i ndërpresë lidhjet dhe angazhimet me krijesat, të angazhohet me adhurimin e Allahut dhe me përmirësimin e lidhjes me Atë, derisa të mbisundojë në zemrën e tij përmendja, dashuria, lutja dhe nisja drejt Tij, shoqërimi i tij të jetë me Allahun dhe mendja e tij të mos mendojë në diçka tjetër, përveçse në arritjen e kënaqësisë së Tij dhe veprave që e afrojnë deri tek Ai.

    Gjatë qëndrimit në itikaf njeriu e izolon veten dhe e mbyll për ta adhuruar Allahun dhe për ta përmendur Atë, largohet nga çdo gjë që e preokupon përveç Allahut, me zemrën e tij këmbëngul drejt Allahut dhe çdo gjëje që e afron për tek Allahu. Brenga e vetme e tij është Allahu dhe ajo që e kënaq Atë.

    Sa më shumë që shtohet njohja e Allahut, dashuria ndaj Tij dhe shoqërimi me Të, aq më shumë robi dëshiron që të largohet nga çdo gjë dhe të vetmohet vetëm me Allahun.[3]

    1. Itikafi është i ligjshëm me Kuran e me Sunet dhe me ixhma (konsensus të dijetarëve).

    Allahu thotë: “Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: ‘Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur’.” (El-Bekare: 125)

    Dhe thotë: “Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami!” (El-Bekare: 187)

    Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, qëndronte në itikaf në dhjetëshin e fundit të Ramazanit derisa Allahu ia mori shpirtin, dhe pas vdekjes së tij qëndronin në itikaf gratë e tij.[4]

    Një herë Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nuk qëndroi në itikaf në dhjetëshin e fundit të Ramazanit dhe më pas atë e kompensoi me dhjetë ditë në Sheval.[5]

    Dijetarët janë të një mendimi se itikafi është i ligjshëm dhe pëlqehet të veprohet.

    1. Qëndrimi nëpër xhamia për itikaf është nga shenjat e imanit si dhe nga mirëmbajtja e xhamisë, me këto cilësi Allahu i përshkroi robërit e Tij dhe thotë: “Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që e besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit…” (Et-Teube: 18). Allahu në këtë ajet e vërtetoi dhe dëshmoi për imanin e mirëmbajtësve të xhamisë. Mirëmbajtja e xhamisë bëhet materialisht (duke e ndërtuar, riparuar, mirëmbajtur dhe pastruar atë) dhe moralisht, e cila është më e ndershmja, duke bërë ibadet në të, me namaz, itikaf, lexim të Kuranit, përmendje të Allahut, kërkim të dijes dhe mësimdhënie të dijes së dobishme.
    2. Itikafi është vepër e mirë që të afron tek Allahu dhe bën pjesë në afrimin e përgjithshëm tek Allahu me adhurime vullnetare, mirëpo për sa i përket shpërblimit të tij, nuk ka argument që e vërteton saktësisht shpërblimin e itikafit. Hadithet e transmetuara ku në to ceket shpërblimi i itikafit janë të dobëta ose të shpikura si, hadithi: “Kush bën itikaf me bindje dhe me llogari në shpërblimin e Allahut, i falen gjynahet e mëhershme”[6], dhe hadithi: “Kush bën itikaf dhjetë ditë në Ramazan është e barabartë me kryerjen e dy haxheve dhe umreve.”[7]

    Ebu Davudi, Allahu e mëshiroftë, e kishte pyetur imam Ahmed ibën Hanbelin, Allahu e mëshiroftë, se a di ndonjë argument të saktë për vlefshmërinë e itikafit? – Imami ishte përgjigjur: “Jo, nuk di diçka të saktë, përveç disa haditheve të dobëta.”[8]

    1. Me pajtim të të gjithë dijetarëve, itikafi në esencë është sunet e jo obligim, dhe nuk detyrohet përveçse me zotim. Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e pyeti Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, dhe i tha: “Në kohën para Islamit isha zotuar që do të qëndroj në itikaf për një natë në Mesxhidil Haram (Xhaminë e Shenjtë – Qabe)! Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: ‘Realizoje zotimin tënd’.”[9]
    2. Itikafi nuk ndërlidhet me një kohë të veçantë, ai ligjërohet në të gjitha kohët, në Ramazan dhe jashtë Ramazanit, megjithëse në Ramazan është më i vlefshëm se jashtë tij.

    Itikafi më i pëlqyer dhe më i vërtetuar është ai i dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, sepse Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, qëndronte në itikaf në dhjetëshin e fundit dhe e kërkonte natën e Kadrit. Për atë që nuk ka mundësi të qëndrojë të gjitha dhjetë netët e fundit, mund të qëndrojë sa të ketë mundësi, qoftë edhe vetëm një natë.

    1. Itikafi në dhjetëshin e fundit është sunet i vërtetuar që e veproi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, shokët dhe gratë e tij, mirëpo i braktisur dhe i harruar nga myslimanët në të kaluarën dhe në të tashmen, derisa Ibën Shihab Ez-Zuhrij, Allahu e mëshiroftë, (ndërroi jetë në vitin 125 hixhri) tha: “Çudi me myslimanët! E braktisën itikafin, kurse Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nuk e braktisi prej kur hyri në Medine e deri kur ndërroi jetë.”[10]

    Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, qëndronte në itikaf në dhjetëshin e fundit të Ramazanit derisa Allahu ia mori shpirtin, dhe pas vdekjes së tij qëndronin në itikaf gratë e tij.[11]

    1. Sa lejohet më së paku të qëndrohet në itikaf? Rreth kësaj meseleje dijetarët kanë mendime të ndryshme: Shumica e dijetarëve thonë se ajo është një çast. Prandaj ligjërohet itikafi dhe pranohet nëse qëndron vetëm një çast ose një orë ose një ditë ose një natë, ose më shumë ose më pak ose thënë më mirë, çdo qëndrim në xhami me nijet afrimi tek Allahu llogaritet itikaf.
    2. Sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, agjërimi nuk është kusht për saktësinë e itikafit, lejohet dhe i saktë është itikafi pa agjërim, megjithëse kur itikafit i bashkëngjitet agjërimi kjo është më e mirë.

    Argument për këtë është rasti me Omerin i cili e pyeti Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, dhe i tha: “Në kohën para Islamit isha zotuar që do të qëndroj në itikaf për një natë në Mesxhidil Haram (Xhaminë e Shenjtë – Qabe)!” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: ‘Realizoje zotimin tënd’.[12] Po të ishte agjërimi kusht për saktësinë e itikafit, nuk do të lejohej gjatë natës qëndrimi në itikaf, ngase natën nuk agjërohet.

    1. Kushtet e saktësisë së itikafit janë: Islami, mendja, mosha e dallimit, nijeti, të jetë në xhami ku falet namazi me xhemat, përveç për gruan asaj i lejohet në çdo xhami, dhënia e lejes nga burri për gruan e tij ose nga përgjegjësi i gruas për atë që nuk është e martuar si dhe, të qenët i pastër nga xhunubllëku, menstruacionet dhe lehonia.
    2. Kusht për saktësinë e itikafit është që të jetë në xhami ku falet namazi me xhemat.
    3. Nuk është kusht për saktësinë e itikafit që të jetë në xhami ku falet xhumaja, mirëpo nëse ekziston mundësia të jetë në xhami ku falet xhumaja, kjo është më e mirë. Përndryshe detyrohet të dalë nga xhamia ku qëndron dhe të shkojë për xhuma në xhami tjetër ku falet namazi i xhumasë dhe me këtë rast nuk prishet itikafi i tij, ngase dalja e tij është e domosdoshme.
    4. Përveçqë itikafi është i saktë në tri xhamitë që janë më të vlefshme, xhamia e Haremit në Meke, xhamia e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Medine dhe xhamia e Aksasë, po ashtu është i saktë edhe në xhami të tjera. Ky mendim është i shumicës së dijetarëve nga sahabët, tabi’inët, katër imamët dhe të tjerët, dhe kështu vepruan myslimanët gjatë të gjitha kohëve, bazuar në fjalët e Allahut: “Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami!” (El-Bekare: 187). Ajeti nuk e veçoi ndonjë xhami, prandaj itikafi lejohet në të gjitha xhamitë. Këtë mendim e kundërshtuan një pakicë nga dijetarët.
    5. Hadithi “Nuk ka itikaf, përveçse në tri xhamitë” nuk është hadith merfu’ (që i përfundon zinxhiri te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të), por është hadith meukuf (pra fjalë nga sahabiu dhe zinxhiri përfundon te sahabiu dhe jo te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të) dhe e ka thënë Hudhejfe ibën El-Jeman, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, por fjalën e tij e kundërshtuan dijetarët e mëdhenj të sahabëve. Disa nga dijetarët hadithin e vlerësuan si të saktë dhe thanë që për qëllim është se në këto tri xhami itikafi është më i plotë ose kuptimi tjetër i hadithit është se nuk lejohet zotimi për itikaf dhe të udhëtohet enkas për itikaf, përveçse në këto tri xhami.
    6. Itikafi në tri xhamitë (xhaminë e Haremit në Meke, xhaminë e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Medine dhe xhaminë e Aksasë në Palestinë) është më i mirë sesa në xhamitë e tjera, shkaku i ndershmërisë dhe i vlefshmërisë që e kanë.

    Më e mira nga to është Mesxhidul Harami në Meke, ku falja e një namazi në të është më i vlefshëm se njëqind mijë namaze në xhamitë e tjera, dhe pas saj vjen xhamia e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Medine, ku falja e një namazi në të është më i mirë se një mijë namaze në xhamitë e tjera, përveç namazit në Mesxhidul Haram, dhe pas saj vjen xhamia e Aksasë.

    1. Ai që zotohet të bëjë itikaf në njërën nga këto tri xhami, e ka për detyrë ta realizojë zotimin e tij dhe nuk i lejohet që të bëjë itikaf në të tjera xhami.

    Nëse është zotuar që itikafin ta bëjë në njërën nga tri xhamitë dhe ajo në vlerë është më e lartë se të tjerat dhe e përcakton me emër si, p.sh. në Mesxhidul Haram, e ka patjetër ta bëjë itikafin në këtë xhami dhe nuk i pranohet në xhami tjetër.

    Nëse është zotuar që itikafin ta bëjë në njërën nga tri xhamitë dhe ajo në vlerë është më e ulët se të tjerat dhe e përcakton me emër, i lejohet atij që itikafin ta bëjë edhe në xhamitë që janë më të mëdha në vlerë se ajo që është zotuar. Shembull: është zotuar që itikafin ta bëjë në xhaminë e Aksasë, atij i lejohet që itikafin ta bëjë edhe në xhaminë e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ose në Mesxhidul Haram. Kurse ai i cili zotohet që itikafin ta bëjë në xhaminë e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, atij i lejohet që të qëndrojë për itikaf në xhaminë e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ose në  Mesxhidul Haram në Meke.

    1. Kush zotohet që ta falë namazin ose ta bëjë itikafin jashtë këtyre tri xhamive, nuk e ka për obligim që ato t’i veprojë në xhaminë që e ka përcaktuar, por pranohen dhe të sakta janë në cilëndo xhami që veprohen.
    2. Çdo gjë që e merr dispozitën e xhamisë, atij që qëndron në itikaf i lejohet të hyjë në të, ose të hipën në të, ose të qëndrojë në të, sikurse në oborrin e xhamisë, terracën e xhamisë, në minaren e tij, sepse këto të gjitha janë pjesë e xhamisë dhe e marrin dispozitën e xhamisë.
    3. Atij që qëndron në itikaf i lejohet të dalë në oborrin e xhamisë ose të qëndrojë për itikaf në të, nëse oborri është i lidhur me xhaminë dhe i rrethuar me të, ngase llogaritet si pjesë e xhamisë dhe i merr dispozitat e xhamisë. Nëse oborri është i ndarë nga xhamia nuk e merr dispozitën e xhamisë dhe nuk lejohet të dalë apo të qëndrojë në të.
    4. Dhomat që janë në kuadër të xhamisë dhe me dyer të hapura për qarkullim e marrin dispozitën e xhamisë, prandaj itikafi ose hyrja në to lejohet, sepse llogariten pjesë e xhamisë.

    Ndërsa nëse ato janë të ndërtuara jashtë xhamisë, itikafi nuk është i saktë dhe nuk lejohet në to edhe nëse dyert i kanë brenda xhamisë.

    1. Ai që dëshiron të qëndrojë në itikaf i lejohet të rezervojë për të një vend të posaçëm në xhami qoftë ajo një dhomë e vogël, qosh ose të ngjashme me to.
    2. Itikafi është i pëlqyer si për burrat ashtu edhe për gratë. Vendi ku qëndrojnë gratë për itikaf duhet të jetë i posaçëm për to dhe sa më larg burrave, si paramburojë për to ose për të tjerët nga sprovat e ndryshme, ose të mos vihen në vështirësi gjatë qëndrimit të tyre në itikaf.

    Nënat e besimtarëve, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, qëndronin në itikaf me të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke qenë i gjallë si dhe qëndronin në itikaf pas vdekjes së tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.

    1. Nuk lejohet për gruan që të qëndrojë në itikaf ose të zotohet të qëndrojë në itikaf, përveçse me lejen e burrit të saj, sepse itikafi i saj e largon atë nga dhënia e hakut që e ka ndaj burrit të saj.
    2. Nëse burri ia jep lejen gruas të qëndrojë në itikaf, ai e ka edhe atë të drejtë që ta ndryshojë mendimin e tij, ta kthejë lejen dhe gruan ta nxjerrë nga itikafi, nëse itikafi i saj është vullnetar. Kurse nëse itikafi i saj është për shkak të zotimit, ajo detyrohet ta plotësojë atë, ngase itikafi i saj është i obliguar që nga momenti i nisjes dhe burri në këtë rast nuk ka të drejtë që ta nxjerrë nga itikafi pasi i ka dhënë leje të qëndrojë në të.
    3. Gruaja lejohet ta bëjë itikafin në çdo xhami dhe nuk është kusht për saktësinë e itikafit të saj të jetë në xhami ku falet namazi me xhemat, sepse ajo nuk e ka për detyrim namazin me xhemat.
    4. Gruaja nëse për itikaf qëndron në faltoren e shtëpisë së saj, itikafi i saj nuk është i saktë, sepse itikafi nuk bëhet përveçse në xhami, kurse faltorja në shtëpinë e saj nuk llogaritet xhami, shkaku se ajo nuk është ndërtuar për faljen e namazit në të dhe nuk e merr dispozitën e xhamisë. Gratë e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, itikafin e bënin në xhaminë e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe sikur të ishte më mirë që ato të qëndrojnë në itikaf diku tjetër, e jo aty, do t’i udhëzonte Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, që të shkojnë në vend tjetër dhe do t’ua ndalonte që itikafin ta bëjnë në xhaminë e tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.
    5. Kush dëshiron të qëndrojë për në itikaf në dhjetëshin e fundit në Ramazan, duhet të hyjë në xhami para se të perëndojë dielli në natën e 21-të, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, dhe të dalë nga xhamia pasi të perëndojë dielli në ditën e fundit të Ramazanit. Nëse Ramazani është tridhjetë ditë, itikafi përfundon me thirrjen e ezanit të akshamit, përndryshe (në natën e 29-të) duhet të presë derisa të vërtetohet pamja e hënës.
    6. Për atë që qëndron në itikaf në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, disa nga të parët tanë e pëlqyen që ai të flejë në xhami edhe në natën e Bajramit, pastaj në mëngjes të dalë nga xhamia dhe të shkojë në faltoren e Bajramit.
    7. Kush dëshiron që të hyjë në itikaf duhet të jetë i pastër nga xhunubllëku, menstruacionet dhe lehonia. Këtyre u ndalohet qëndrimi në xhami, kurse kuptimi i itikafit është të qëndrohet në xhami.
    8. Nëse gjatë qëndrimit në itikaf njeriu bëhet xhunub në gjumë, nuk prishet itikafi i tij, dhe atij nuk i lejohet të qëndrojë ashtu në xhami, por duhet të pastrohet dhe pastaj ta vazhdojë itikafin e tij.
    9. Gruas gjatë qëndrimit të saj në itikaf, nëse i vijnë menstruacionet, asaj i ndalohet të qëndrojë në xhami. Ajo duhet të dalë nga xhamia dhe të shkojë në shtëpinë e saj. Me këtë nuk e prish itikafin e saj. Pasi të pastrohet nga menstruacionet mund të kthehet prapë në xhami dhe ta vazhdojë itikafin e saj.
    10. Itikafin e prish dhe të pavlefshëm e bën dalja nga xhamia pa nevojë, marrëdhëniet intime, bërja xhunub duke iu afruar gruas (me prekje dhe fërkime) ose masturbimi, humbja e mendjes me çmenduri ose dehje dhe të ngjashme me to, ndërprerja e nijetit për të qëndruar në itikaf si dhe dalja nga feja ose të bërit renegat, Allahu na ruajttë.
    11. Gjatë itikafit lejohet dalja nga xhamia për gjërat që njeriut i nevojiten, sikurse dalja për kryerjen e nevojës, sjelljen e ushqimit nëse nuk ka kush t’ia sjellë në xhami, për abdes dhe për pastrim nga xhunubllëku, për blerjen ose sjelljen e ilaçeve, nëse nuk ka kush t’ia sjellë në xhami dhe të ngjashme me to. Dalja e tillë nuk e prish itikafin. Gjatë daljes duhet të shikojë që nevojat t’i kryejë në vendet sa më të afërta dhe nuk lejohet të shkohet sa më larg xhamisë, nëse ka hapësirë që ato të kryhen afër xhamisë.
    12. Porositë për ushqim nga restoranti nuk lejohet të bëhen nga xhamia, sepse kjo bën pjesë në shitblerje, kurse shitblerja ndalohet në xhami. Ai mund të dalë jashtë xhamisë të telefonojë dhe të porosisë, e kur të vijë ushqimi, faturën e paguan dhe ushqimin e merr jashtë xhamisë.
    13. Nuk ka pengesë për atë që qëndron në itikaf një pjesë të trupit të tij ta nxjerrë jashtë xhamisë, kjo nuk e prish itikafin e tij, si: ta nxjerrë kokën ose këmbën e tij jashtë xhamisë, ndërsa pjesa tjetër e trupit të jetë brenda xhamisë, bazuar në hadithin e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila thotë: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e nxirrte kokën e tij nga xhamia në shtëpinë tonë dhe ia krehja flokët.”[13]
    14. Gjatë qëndrimit në itikaf, kush bën marrëdhënie intime me gruan e vet, itikafi i tij bëhet i pavlefshëm, dhe nuk e ka për detyrë që itikafin e tij ta kompensojë ose ta shpaguajë, përveçse kur itikafi i tij është i obliguar, në këtë rast detyrohet kompensimi.

    Allahu thotë: “Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami!” (El-Bekare: 187)

    1. Prekjet dhe fërkimet pa epsh, sikurse kur gruaja i dërgon burrit diçka ose e përshëndet për dore, nuk e prishin itikafin. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e nxirrte kokën e tij nga xhamia në shtëpinë tonë dhe ia krehja flokët.”[14]
    2. Kush i afrohet gruas së tij, por jo në organin gjenital, dhe bëhet xhunub, itikafi i tij bëhet i pavlefshëm, kurse nëse nuk bëhet xhunub, itikafi i tij është i vlefshëm dhe nuk prishet.

    Nëse bëhet xhunub në gjumë ose bëhet xhunub shkaku i mendimeve, nuk prishet itikafi i tij, ai duhet të pastrohet dhe ta plotësojë itikafin e tij.

    1. Gjatë itikafit njeriut nuk i lejohet të shkojë ta vizitojë të sëmurin, të prezentojë në xhenaze, t’i përgjigjet ftesës për dasmë, t’i kryejë nevojat e familjes së tij ose të shkojë në punë, sepse këto vepra e bëjnë të pavlefshëm itikafin e tij.

    Përcillet me një transmetim të saktë që Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, ka thënë: “Për atë që qëndron në itikaf sunet është që të mos e vizitojë të sëmurin, as të prezentojë në xhenaze, të mos i afrohet gruas, as të dalë nga xhamia për ndonjë nevojë, përveçse nëse e ka të patjetërsueshme”[15]

    1. Shumica e dijetarëve e lejojnë që njeriu ta kushtëzojë qëndrimin e tij në itikaf, me kusht që kushtëzimi të jetë në saje të së lejuarës dhe të mos jetë gjë që e mohon synimin dhe vlefshmërinë e itikafit, si: marrëdhëniet intime, dalja nga xhamia për shëtitje ose tregti etj.

    Prandaj lejohet që njeriu para se të hyjë në itikaf të vendosë kusht që nëse i ndodh diçka të dalë nga itikafi, si: të dalë për të ngrënë ushqim në shtëpi, ta vizitojë të afërmin e sëmurë, të prezentojë në xhenazen e ndonjërit prej prindërve ose të afërmve, dhe të ngjashme me to.

    Dobia nga vendosja e kushtit është se itikafi nuk prishet kur njeriu e vepron atë që e ka vendosur si kusht para se të hyjë në itikaf dhe ai vazhdon të llogaritet në itikaf. Nëse itikafi i tij është obligator për shkak të zotimit, edhe në këtë rast periudha ose koha që del nga xhamia nuk duhet të kompensohet.

    Mosvendosja e kushtit është më e mirë, me këtë i ikën edhe mospajtimit të dijetarëve që e kanë në mes tyre për saktësinë e vendosjes së kushtit në itikaf, dhe kjo është më e përafërt me synimin e itikafit, a nëse i ndodh diçka që e ka të patjetërsueshme të dalë nga itikafi, del nga xhamia dhe më pas kthehet dhe e vazhdon itikafin e tij.

    1. Itikafi nuk prishet me mëkate, si: përgojimi, bartja e fjalëve, gënjeshtra dhe të tjera. Këto janë të ndaluara në itikaf dhe jashtë itikafit, mirëpo bien në kundërshtim me synimin e itikafit, pakësojnë nga shpërblimi i tij, ndërsa ai që i vepron bën gjynah.
    2. Kush e prish itikafin e tij pasi ka hyrë në të, pëlqehet që ta kompensojë atë, edhe pse kjo nuk është detyrim. Është vërtetuar që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur një herë e la itikafin e dhjetëshit në Ramazan, e kompensoi me dhjetë ditë të tjera në muajin Sheval.[16]
    3. Ndërsa ai që e prish itikafin obligator për shkak të zotimit, pasi ka hyrë në të, detyrohet ta kompensojë atë që ka mbetur prej tij.
    4. Kush është zotuar për itikaf dhe ka ndërruar jetë para se ta realizojë zotimin e tij, pëlqehet që përgjegjësi i tij ta kompensojë për të, duke u bazuar në hadithin e Sad ibën Ubade, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili e pyeti Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe i tha: “Nëna ime ka ndërruar jetë dhe i ka mbetur borxh zotimi i saj.” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Realizoje zotimin e saj për të.”[17]
    5. Gjatë qëndrimit në itikaf pëlqehet:

    – Angazhimi me adhurime e vepra që të afrojnë tek Allahu dhe që mund t’i veprojë ai që gjendet në itikaf, si: falja e namazit, leximi i Kuranit, dhikër, dua, istigfar, dërgimi i salavateve për Pejgamberin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe vepra të tjera që e afrojnë tek Allahu.

    – Largimi nga debatet dhe polemikat, nga thëniet dhe veprat që nuk ka në to dobi si dhe nga të folurit e tepërt pa nevojë.

    – Shkëputja e lidhjeve me dynjanë dhe preokupimet e saj, me jetën dhe kënaqësitë e saj, pakësimi nga gjërat e lejuara, shtimi i asketizmit në dynja dhe të vetmuarit me Allahun.

    – Përkujdesja për veprat e zemrës, si: sinqeritetin, dashurinë, shpresën, mbështetjen në Allahun, nënshtrimin, falënderimin, dhe të tjerat, si dhe përkujdesja për ta përmirësuar të jashtmen (veprat e gjymtyrëve) dhe të brendshmen (veprat e zemrës) duke e drejtuar myslimani fytyrën e tij kah Allahu, me sinqeritet, i përulur i nënshtruar para Duarve të Tij, me dashuri dhe përkushtim të plotë. E falënderon dhe e lavdëron Allahun, kërkon falje për të këqijat e tij dhe prej Allahut kërkon ndihmë dhe mbrojtje nga to dhe i mbështetet vetëm Atij. Allahut i frikësohet dhe Allahun e shpreson, tek Ai frika dhe shpresa janë sikurse dy krahët e zogut, në rehati e shton anën e frikës, kurse shpresa dominon në momentet e daljes së shpirtit: “…e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij…” (Ez-Zumer: 9). Ai e shpreson mëshirën dhe Xhenetin e Allahut, dhe shpresës së tij ia bashkëngjit veprën e mirë që e kënaq Allahun, duke llogaritur për ato vepra në shpërblimin e Allahut.

    1. Gjendja e atij që qëndron në itikaf nuk duhet të jetë sikurse gjendja e atij që është jashtë xhamisë, por itikafi i tij duhet të jetë: vetmi me Zotin, përmirësim për zemrën, rishikim dhe llogari e vetvetes, përkujdesje për kohën, forcim i raporteve me Allahun, mbrojtje për agjërimin, edukim në sinqeritet, mosteprim në gjëra të lejuara dhe asketizëm në dynja.
    2. Gjatë qëndrimit në itikaf lejohet: krehja e flokëve, rruajtja e kokës, shkurtimi i thonjve, larja e trupit, pastrimi i trupit, parfumosja, veshja e rrobave më të bukura, ngrënia dhe pirja në xhami duke u përkujdesur për pastërtinë e xhamisë.
    3. Gruas i lejohet që ta vizitojë burrin e saj në itikaf dhe të vetmohet me të. Pasi ajo të dalë nga xhamia, nëse ka nevojë burri mund të dalë nga itikafi dhe ta përcjellë deri në shtëpi, itikafi i tij në këtë rast nuk prishet. Sipas nevojës lejohet familjarët dhe shoqëria e tij ta vizitojnë në itikaf.
    4. Gjatë qëndrimit në itikaf bëhen disa gabime dhe ndër to, numërojmë:

    – Gjumi i tepërt gjatë ditës, ndeja deri vonë natën, mirëpo jo për adhurim, mosngritja për ta falur namazin e sabahut.

    – Mosbraktisja e të folurit të tepërt, teprimi me tallje dhe biseda, të folurit joserioz me shumë shaka, rënia në përgojim dhe ndalesa, mospërkujdesja për shenjtërinë e kohës dhe vendit.

    – Teprimi në përdorimin e celularit, shfletimi i faqeve dhe rrjeteve sociale, telefonatat e shumta, marrja me punët dhe bizneset prej vendit ku qëndron në itikaf.

    – Vizitat e shpeshta nga familjarët e shokët dhe bërja e vendit të itikafit si vend për pritjen e vizitorëve. Kjo bie në kundërshtim me itikafin profetik.

    – Teprimi në ushqim e pije dhe dëmtimi i namazfalësve me erën e ushqimit.

    – Mospërkujdesja për pastërtinë e xhamisë dhe rregullave të saj.

    – Angazhimi me libra dhe leximin e tyre në vend se t’u jepet prioritet ibadetit dhe nënshtrimeve.

    – Këmbëngulja për të qëndruar në itikaf, qoftë edhe në llogari të lënies së gjërave detyruese, si: kryerja e nevojave familjare, përkujdesja për prindërit, dalja për kërkimin e riskut, e të ngjashme me to.

     

    E lusim Allahun të na japë mbarësi në atë që Ai e do e që Atë e kënaq dhe e lusim që t’i pranojë nga ne veprat e mira. Amin

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë nga libri: “Sezonet e adhurimit” (i përkthyer në shqip)

     

    [1] “Akif “ i thuhet atij që është i dhënë pas diçkaje, ose ai që jeton i vetmuar. (sh.p.)

    [2] “Muatekif” i thuhet atij që qëndron në një vend, ose nuk del nga vendi, ose i jepet tërësisht diçkaje. (sh.p.)

    [3] Shih: Zadul Mead, Ibën El-Kajim (2/82). Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 190, 191).

    [4] Buhariu (2026), Muslimi (1172).

    [5] Buhariu (2033), Muslimi (1172).

    [6] Shënon Ed-Dejlemij, shejh Albani e vlerësoi si të dobët në Daif El-Xhami’ (5452).

    [7] Imam Bejhakiu në Shuab El-Iman (3680), dhe e vlerësoi si të dobët, dhe shejh Albani tha: Hadith i shpikur. Shih: Es-Silsiletu Ed-Daife (518).

    [8] Mesail Ebu Davud (fq. 137).

    [9] Buhariu (2032), Muslimi (1656).

    [10] Fet’hul Bari, Ibën Haxher (3/285).

    [11] Buhariu (2026), Muslimi (1172).

    [12] Buhariu (2032), Muslimi (1656).

    [13] Buhariu (2029), Muslimi (297).

    [14] Buhariu (2029), Muslimi (297).

    [15] Ebu Davudi (2473).

    [16] Buhariu (2033), Muslimi (1172).

    [17] Buhariu (2761), Muslimi (1638).

  • DHJETË NETËT E FUNDIT DHE NATA E KADRIT

    DHJETË NETËT E FUNDIT DHE NATA E KADRIT

    1. Allahu, krijesat i dalloi ndërmjet tyre në vlerë dhe disa i ngriti në shkallë të larta karshi disa të tjerave. Nga ditët dhe muajt i favorizoi disa karshi të tjerëve; dhjetë ditët e para të muajit Dhulhixhe janë ditët më të mira të dynjasë, dita e xhuma është dita më e mirë e javës, muaji Ramazan është muaji më i mirë karshi muajve të tjerë, ndërsa nga netët; dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë netët më të mira, kurse nata më e mirë nga to është nata e Kadrit, e cila është edhe më e mirë se një mijë muaj.
    2. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në dhjetëshin e fundit përpiqej në ibadet deri në maksimum, e kërkonte natën Kadrit dhe mirësitë e saj, ashtu siç përcjell Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila thotë: “Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në dhjetëshin e fundit përpiqej në ibadet më shumë se në çdo ditë tjetër.”[1]

    Si dhe (Aisha) thoshte: “Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur hynte dhjetëshi i fundit e shtrëngonte izarin[2] e tij, e ngjallte natën (me ibadet) dhe e zgjonte familjen e tij”; me një transmetim tjetër që e shënon imam Muslimi: “e shtrëngonte izarin (rripin) dhe përpiqej (në ibadet).”[3]

    “E shtrëngonte izarin (rripin)”; është për qëllim që në dhjetëshin e fundit përpiqej dhe mundohej në ibadet më shumë se që e kishte zakon në ditët e tjera. Thuhet njashtu që për qëllim është se largohej nga gratë dhe nuk iu afrohej atyre në këto net dhe merrej me ibadet.

    1. Dhjetëshi i fundit i muajit Ramazan është treg i madh, ku garojnë të mirët dhe përpiqen në të adhuruesit dhe i afrohen Allahut me ibadete dhe nënshtrime të llojllojshme. Myslimani përkujdeset që Ramazanin ta përfundojë me veprat më të mira dhe më të vlefshme, sepse “Veprat vlerësohen sipas përfundimit.”[4] Kur garojnë kuajt në mes tyre, në fund të garës e japin maksimumin dhe atë më të mirën e tyre.

    Prandaj në këto ditë dhe net myslimanin nuk e sheh përveçse duke u falur, duke lexuar Kuran, duke e përmendur Allahun, duke bërë lutje, i përulur dhe i nënshtruar, nuk dëshiron që t’ia tejkalojë askush për në vepra të mira që e afrojnë tek Allahu.

    Ebu Othman En-Nehdij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Të parët tanë të mirë i madhështonin tri dhjetëshe: dhjetëshin e fundit të Ramazanit, dhjetëshin e parë të muajit të Dhulhixhes dhe dhjetëshin e parë të muajit Muharrem.”[5]

    1. Netët e dhjetëshit të fundit të Ramazanit janë më të mira sesa ditët e tij shkaku i përfshirjes së natës së Kadrit në to, edhe pse në përgjithësi në vlerën e dhjetëshit të fundit dhe të vepruarit në to përfshihet edhe nata edhe dita e këtyre ditëve.
    2. Itikafi në dhjetëshin e fundit është sunet dhe vepër e mirë që të afron tek Allahu. E veproi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe pas vdekjes së tij e vepruan edhe sahabët.

    Myslimani pëlqehet që itikafin ta bëjë në atë xhami ku falet xhumaja, me nijet që të qëndrojë në të dhe t’i afrohet Allahut me ibadet duke u shkëputur nga dynjaja dhe preokupimet e saj, nga jeta dhe kënaqësitë e saj, duke u vetmuar me Allahun dhe duke e angazhuar veten me namaz, lexim të Kuranit dhe përmendje të Allahut,  duke u larguar nga harami dhe nga ajo që nuk i intereson nga fjalët dhe veprat.

    Itikafi i tij, pra duhet të jetë vetmi me Zotin, përmirësim për zemrën, rishikim dhe llogari e vetvetes, përkujdesje për kohën, forcim i raporteve me Allahun, mbrojtje për agjërimin, edukim në sinqeritet, mosteprim në gjëra të lejuara dhe asketizëm në dynja.

    1. Kurani është fjala, shpallja dhe mesazhi i Allahut te krijesat e Tij, nëpërmjet tij rriten shkallët dhe shtohen të mirat, prandaj duhet që në dhjetëditshin e fundit të shtohet leximi i tij dhe ta përfundojë myslimani leximin e tij (të bëjë hatme) sa më shpesh. Të parët tanë të mirë e përfundonin leximin e Kuranit çdo tri ose çdo shtatë net, ndërsa kur hynin në dhjetëshin e fundit ishin disa që e përfundonin për çdo natë.
    2. Fjalën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Kush e bën hatme Kuranin për më pak se tre ditë, nuk e kupton atë”[6], dijetarët thonë se për qëllim është nëse bëhet në vazhdimësi, kurse në kohë të vlefshme, sikurse muaji i Ramazanit e në veçanti dhjetë ditët e fundit, ose vende të vlefshme, sikurse në Meke për vizitorin dhe jo për vendasin e saj, pëlqehet shpeshtimi i leximit të Kuranit me qëllim që të shfrytëzohen koha apo vendi. Kjo është thënie e imam Ahmedit dhe Is’hak Er-Rahavejh dhe të tjerëve, si dhe këtë mendim e përforcon të vepruarit e të tjerëve kësisoji.[7]
    3. Duaja është ibadet dhe arma e besimtarit, gjëja më e ndershme tek Allahu si dhe zbatim i urdhrit të Allahut: “Zoti juaj ka thënë: ‘Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem’!” (Gafir: 60)

    Agjëruesi në dhjetëshin e fundit pëlqehet të bëjë sa më shumë dua, duke qenë i përulur, i nënshtruar, duke e shprehur varfërinë e tij para Allahut, duarngritur, i drejtuar kah Kibla, i pastër nga jashtë (trupi) dhe brenda (shpirti), me zemër jo të shkujdesur gjatë lutjes, paraprakisht duke u ushqyer me hallall, duke qenë i sinqertë në kërkesën e tij, duke u lutur në kohët e vlefshme kur pranohet duaja, me fjalë gjithëpërfshirëse, me insistim në lutje, dhe duke u lutur me frikë dhe shpresë. E si të refuzohet ai që i lutet Allahut në këtë gjendje?!

    Lute Allahun që lutjet e tua t’i pranojë dhe kujdesi yt që veprat të pranohen tek Allahu të jetë shumë më i madh sesa kujdesi yt për veprën, dhe ndoshta do të përfshihesh në ajetin: “dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” (El-Muminun: 60). Të tillët janë “ata që agjërojnë, falen, japin lëmoshë, por njëkohësisht frikohen se veprat e tyre nuk do t’iu pranohen”: “ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët.” (El-Muminun: 61)[8]

    1. Pëlqehet në dhjetëshin e fundit, në ditët dhe netët e saj, që myslimani t’i shtojë adhurimet dhe veprat e mira që nëpërmjet tyre shpresohet t’i falen gjynahet dhe të çlirohet robi nga zjarri i Xhehenemit. Nga ato vepra është: shpeshtimi i ‘tehlilit’ (shqiptimit të fjalës la ilahe il-lallah); ngase dëshmia e teuhidit (njësimit të Allahut) “i rrënon mëkatet dhe i fshin ato dhe nuk lë asnjë mëkat dhe nuk ka vepër të ngjashme sikurse ajo. Është e barabartë në shpërblim sikurse e çliron një skllav, kurse kjo vepër e detyron çlirimin nga zjarri i Xhehenemit, dhe ai që e shqipton me sinqeritet nga zemra e tij Allahu ia ndalon zjarrin e Xhehenemit atij.”[9]
    2. Shpërblimi vjen sipas llojit të veprës, andaj kush e çliron një skllav, Allahu e çliron atë nga zjarri i Xhehenemit: “Kushdo që e çliron një skllav (rob) mysliman, për çdo organ të çliruar të tij, Allahu e shpërblen njëlloj duke ia çliruar organet e tij nga zjarri i Xhehenemit.”[10] Prandaj disa nga të parët tanë në fund të Ramazanit e çlironin nga robëria skllaven më të bukur që e kishin dhe shpresonin që me çlirimin e saj ta fitojnë çlirimin e Allahut nga zjarri i Xhehenemit.[11]

    Me shpeshtimin e përmendjes së Allahut me tehlil (me shqiptimin e fjalës la ilahe il-llah) dhe me realizimin e teuhidit, myslimani shpërblehet njëlloj sikurse me shpërblimin e çlirimit të skllevërve, kurse kjo e fundit e obligon çlirimin nga zjarri i Xhehenemit. Me një hadith Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush thotë ‘la ilahe il-llah, uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu, ue huve ala kul-li shejin kadir (nuk i takon askujt adhurimi me të drejtë përveçse Allahut, të Vetëm e i parival, Atij i takon Pushteti dhe Falënderimi dhe Ai është i Gjithëfuqishëm mbi çdo gjë)’, në ditë njëqind herë; është e barabartë me çlirimin e dhjetë skllevërve, i shkruhen atij njëqind të mira dhe i fshihen njëqind të këqija, është i mbrojtur nga shejtani gjatë ditës derisa të vijë nata, dhe nuk ka vepruar më mirë askush se ky person, përveç atij që vepron më shumë se ky.”[12]

    1. Kush gjendet afër Qabesë dhe e ka mundësinë të bëjë tavaf, le ta bëjë atë, sepse kjo është e barabartë me çlirimin e një robi: “Kush bën tavaf (sillet rreth Qabesë) shtatë herë dhe i plotëson ato si duhet (duke i respektuar kushtet dhe rregullat) është e njëllojtë sikurse ta çlirojë një skllav.”[13]
    2. Myslimani pëlqehet që t’i shpeshtoje lutjet me çlirim nga zjarri i Xhehenemit, me shpresë që ndoshta Allahu do ta lirojë atë. Me një hadith Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu çliron robër të Tij në Ramazan për çdo ditë dhe natë, dhe çdonjëri nga ta e ka një lutje të pranuar.”[14]
    3. Myslimani pëlqehet që Ramazanin ta përfundojë duke e shpeshtuar istigfarin (kërkimfaljen) në dhjetëshin e fundit. Istigfari është lutje për falje dhe lutja e agjëruesit është e pranuar kur agjëron dhe kur çel iftar.

    Istigfari vjen në fund të veprave të mira, me të përfundohet namazi, haxhi, namazi i natës dhe me të përfundohen mexhliset, prandaj myslimani duhet që agjërimin e tij të Ramazanit ta përfundojë me istigfar.

    Kjo ishte arsyeja e letrës që e shkroi Omer ibën Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, dhe ua dërgoi vendeve të ndryshme dhe i urdhëroi banorët e saj që Ramazanin ta përfundojnë me istigfar dhe me dhënien e zekatit të fitrave, sepse fitrat janë pastrim për agjëruesin nga gabimet në të folurit dhe nga fjalët e ndyra, kurse istigfari e arnon atë që e djegin gabimet në të folurit dhe fjalët e ndyta nga agjërimi.[15]

    1. Istigfari më i dobishëm është ai që veprohet paralel me pendimin, duke i braktisur mëkatet, duke ndier keqardhje për veprimin e tyre, duke qenë i këmbëngulur për të mos iu kthyer më, si dhe duke i kthyer padrejtësitë te pronarët e saj, nëse mëkati ka lidhje me njeriun.
    2. Përkujdesja për ta përmirësuar të jashtmen (veprat e gjymtyrëve) dhe të brendshmen (veprat e zemrës) gjatë dhjetëshit të fundit është më se e nevojshme, ngase vepra e zemrës është themeli i çdo të mire dhe bamirësie. Prandaj myslimani e drejton fytyrën e tij kah Allahu, me sinqeritet, i përulur i nënshtruar para Duarve të Tij, me dashuri dhe përkushtim të plotë.

    E falënderon dhe e lavdëron Allahun, kërkon falje për të këqijat e tij dhe prej Allahut kërkon ndihmë dhe mbrojtje nga to dhe i mbështetet vetëm Atij. Allahut i frikësohet dhe Allahun e shpreson, tek ai frika dhe shpresa janë sikurse dy krahët e zogut, në rehati e shton anën e frikës kurse shpresa dominon në momentet e daljes së shpirtit: “…e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij…” (Ez-Zumer: 9). Ai e shpreson mëshirën dhe Xhenetin e Allahut, dhe shpresës së tij ia bashkëngjit veprën e mirë që e kënaq Allahun, duke llogaritur për ato vepra në shpërblimin e Allahut.

    1. Nata e Kadrit është natë e bekuar. Ajo është nata më e mirë e vitit dhe ajo është më e mirë se një mijë muaj. Në këtë natë ka zbritur Kurani përnjëherë i tëri nga libri amzë ‘Levhi Mahfudhi’ në qiellin e dynjasë që quhet ‘Bejtul Izzeh’. Ai që e qëllon këtë natë dhe mirësinë e saj vetëm se e ka qëlluar tërë mirësinë, dhe kush ngritet atë natë (për namaz nate) me bindje dhe me llogari në shpërblimin e Allahut i falen gjynahet e mëhershme, kurse ai që privohet nga mirësia e saj vetëm se është privuar nga mirësia në tërësi.

    Allahu thotë: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” (El-Kadr: 1-5). Dhe për Kuranin Allahu thotë: “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.” (Ed-Duhan: 3)

    I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush ngritet (për namaz nate) në natën e Kadrit me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[16]

    “Me besim” d.m.th. me bindje të plotë që kjo është e vërtetë dhe adhurim, dhe se Allahu është Ai që e bëri të ligjshëm ngritjen në këtë natë (për namazin e natës) dhe nxiti për në të.

    “Llogarit në shpërblimin e Allahut” d.m.th. e kërkon shpërblimin nga Allahu, prandaj me vullnet ngritet natën dhe e shpreson shpërblimin e Allahut, me shpirtmirësi dhe kënaqësi në shpirt, nuk e llogarit të rëndë dhe të mundimshëm ngritjen në këtë natë, dhe atë e kryen me sinqeritet vetëm për Allahun.

    Po ashtu i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaj i bekuar… Në të është një natë më e mirë se një mijë muaj, kush privohet nga kjo natë është privuar nga mirësia në tërësi.”[17]

    1. Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, u pyet se cila është më e vlefshme, nata e Kadrit ose nata e Israsë kur Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u ngrit në qiell?

    U përgjigj: “Nata e Israsë është më e vlefshme te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kurse nata e Kadrit është më e vlefshme për sa i përket umetit. Nata e Israsë u veçua shkaku i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, prandaj mirësia e kësaj nate te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, është më e plotë sesa mirësia e natës së Kadrit. Kurse mirësia e umetit në natën Kadrit është më e plotë sesa mirësia e tyre në natën e Israsë dhe Miraxhit, edhe pse ata kanë mirësi shumë të madhe në të, prapëseprapë mirësia, nderi dhe grada e lartë u arrit në atë që u ngrit me të Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.”[18]

    1. Nata e Kadrit është quajtur me këtë emër shkaku i madhështisë, peshës dhe vlerës së madhe që e ka kjo natë tek Allahu. Kjo natë llogaritet e madhe dhe me vlerë sepse në të zbriti Kurani, ose sepse në këtë natë zbresin melekët, ose sepse në këtë natë zbresin bereqeti, mëshira dhe falja, ose sepse ai që e gjallëron këtë natë me ibadet bëhet vetë me vlerë më të madhe.

    Disa të tjerë thonë që llogaritet natë e madhe sepse Allahu e përcakton atë që dëshiron nga përcaktimet e Tij për një vit, pra deri në natën e Kadrit të vitit që vjen. Disa të tjerë thanë që ka edhe shkaqe të tjera jashtë këtyre që u cekën.[19]

    1. Ai që i afrohet Allahut me ibadet dhe me nënshtrime në natën e Kadrit, do të fitojë shpërblime shumë të mëdha.

    Allahu thotë: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” (El-Kadr: 3). Kuptimi i ajetit është se vepra e mirë që veprohet në natën e Kadrit është më e mirë sesa vepra e më shumë se  një mijë muajve ku në të nuk është nata e Kadrit, d.m.th. që ibadeti në natën e Kadrit është më i mirë sesa ibadeti në një mijë muaj.[20]

    “Vepra e mirë e vepruar në një natë, të jetë më e mirë sesa vepra në një mijë muaj, që i bie të jetë ekuivalent me jetën e një njeriu që vepron për më shumë se tetëdhjetë vjet, është dhunti e Allahut që mendjet e njerëzve i mahnit dhe i lë pa fjalë dhe është dhunti që Allahu ia dha këtij umeti të dobët që të forcohet.”[21]

    1. Nata e Kadrit është në dhjetëshin e fundit të muajit Ramazan dhe lëviz brenda këtyre ditëve dhe ajo do të ekzistojë për çdo vit deri në Kiamet. Prandaj myslimani duhet të përpiqet ta kërkojë në dhjetëshin e fundit, duke e shpresuar shpërblimin dhe sevapin e Allahut dhe duke e shfrytëzuar mirësinë e saj, ashtu siç Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “M’u tregua nata e Kadrit, por pastaj m’u harrua, andaj kërkojeni në dhjetëshin e fundit në ditët tek.”[22]
    2. Nata e Kadrit është në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, në ditët tek, dhe ajo lëviz dhe nuk mund të specifikohet me një natë të veçantë në asnjë vit. Në ndonjë vit mund të jetë në natën e 27-të, në vitin tjetër në natën e 21-të, në ndonjë vit tjetër në natën e 23-të ose në natë tjetër, ashtu siç erdhi në hadith: “Kërkojeni në dhjetëshin e fundit në ditët tek.”[23]
    3. Pëlqehet që nata e Kadrit të kërkohet në shtatëditëshin e fundit të dhjetëshit të fundit të Ramazanit, sepse shpresohet që në këto ditë më shumë të jetë nata e Kadrit karshi netëve të tjera, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Shoh që ëndrra juaj përputhet me shtatë ditët e fundit, prandaj kushdo që e kërkon natën e Kadrit le ta kërkojë në shtatëditëshin e fundit të Ramazanit.” Në një transmetim që e shënon imam Muslimi: “Kërkojeni në dhjetëditëshin e fundit, e nëse ndokush prej jush ligështohet ose është i pafuqishëm, kërkojeni në shtatëditëshin e fundit.”[24]

    Shtatë ditët e fundit fillojnë nga nata e 23-të ose 24-të, sipas dallimit në mendime të dijetarëve rreth kësaj çështjeje.[25]

    1. Nga shtatë netët tek që shpresohet më së shumti në të nata e Kadrit është nata e 27-të e Ramazanit. Ky mendim është i shumicës së sahabëve dhe dijetarëve, ndër ta Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kurse Ubej ibën Kab, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, betohej se nata e Kadrit është në natën e 27-të dhe thoshte: “Pasha Allahun që nuk ka të adhuruar tjetër përveç Atij, nata e Kadrit është në Ramazan dhe pasha Allahun unë e di se në cilën natë është ajo! Ajo është nata ku në të na urdhëroi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të falim namaz nate, ajo është nata e agimit e ditës së 27-të”[26]

    Abdullah ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se një njeri erdhi te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë jam plak dhe i sëmurë, namazi i natës për mua është i rëndë, prandaj më trego në cilën natë të ngritem ndoshta Allahu më jep mbarësi që ajo të jetë nata e Kadrit. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, iu përgjigj: “Kërkoje në natën e njëzeteshtatë.”[27]

    Me një hadith tjetër: “Kushdo prej jush që e kërkon, le ta kërkojë në natën e 27-të.”[28]

    Në përcaktimin e kësaj nate përcillen hadithe të shumta që janë merfu’ (që zinxhiri iu përfundon te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. – sh.p.-)

    Mirëpo, sidoqoftë kjo mund të jetë në shumicën e rasteve dhe jo çdoherë, ngase ajo lëviz, prandaj më e sakta dhe më e mira është që të kërkohet në dhjetëshin e fundit dhe jo vetëm se në një natë, natën e 27-të.

    1. Nuk lejohet që në natën e 27-të të bëhet ndonjë lloj manifestimi me pretekst që ajo është nata e Kadrit si dhe nuk lejohet që kjo natë të veçohet me kryerjen e umres me bindje që kjo natë ka vlerë të posaçme. Nata e Kadrit nuk është e konfirmuar se është në natën e 27-të , po edhe po që se konfirmohet një gjë e tillë, prapëseprapë nuk lejohet që kjo natë të veçohet me ndonjë lloj manifestimi ose umre.
    2. Nata e Kadrit, edhe përskaj vlerës së posaçme që e ka, nuk kërkohet që ajo të veçohet me umre, por pëlqehet të falet namaz nate, bazuar në fjalën e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili thotë: “Kush ngritet (fal namaz nate) në Natën e Kadrit me bindje dhe me llogari në shpërblimin e Allahut, i falen gjynahet e mëhershme.” [29]
    3. Në disa hadithe inkurajohet që nata e Kadrit të kërkohet sipas ditëve të mbetura të muajit dhe jo sipas ditëve të kaluara, ashtu siç erdhi në hadithin që e përcjell Ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, në nëntë ditët e mbetura, në shtatë ditët e mbetura, në pesë ditët e mbetura.”[30]

    Në hadithin që e përcjell Ebu Seid, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kërkojeni natën e Kadrit në natën e nëntë, natën e shtatë dhe natën e pestë.”[31]

    Ebu Seidi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i komentoi fjalët e hadithit dhe tha: “Kur të kalojë nata e 21-të, ajo që vjen pas saj është 22 dhe ajo është e nënta, kur të kalojë nata e 23-të, ajo që vjen pas saj është e shtata, kur të kalojë nata e 25-të, ajo që vjen pas saj është e pesta.”

    Çështja është sikurse Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Netët tek llogariten në bazë të ditëve të kaluara dhe fillojnë me natën e 21-të, natën e 23-të, natën e 25-të, natën 27-të dhe natën e 29-të.

    Si dhe llogariten në bazë të ditëve të mbetura, prandaj sipas kësaj llogarie nëse muaji është tridhjetë ditë, nata e Kadrit i bie të jetë në netët çift, dhe kështu nata njëzet e dy, është nata e nëntë e mbetur, dhe nata njëzet e katër është nata e shtatë e mbetur.

    Nëse muaji është njëzet e nëntë ditë, koha e mbetur është sikurse koha e kaluar.

    Pra, pasi çështja qenka kështu, atëherë besimtari duhet që natën e Kadrit ta kërkojë gjatë gjithë dhjetëshit të fundit, kurse mundësia më e madhe është që të jetë në shtatë netët e fundit”[32]; sepse nuk mund të konfirmohet saktësisht për muajin se a do të jetë i plotë (30 ditë) ose i mangët (29 ditë). Çështja ndërlidhet me pamjen e hënës.

    1. Allahu e fshehu natën e Kadrit për umetin me qëllim që të lakmohet në gjetjen e saj dhe myslimanët ta kërkojnë në dhjetëshin e fundit të Ramazanit dhe të garojnë në vepra të mira dhe nënshtrime, ashtu siç e fshehu “emrin e Tij të madh në mesin e emrave të Tij, e fshehu kënaqësinë e Tij në adhurime që ato të gjitha të dëshirohen, e fshehu zemërimin e Tij në mëkate që robërit e Tij nga të gjithat të largohen, dhe e fshehu ndodhinë e Kiametit që të gjithë të jenë të kujdesshëm nga ndodhia e tij dhe të përpiqen sa më shumë në adhurime.”[33]
    2. Në natën e Kadrit pëlqehet të shpeshtohet lutja: “O Allahu im, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua.” Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë se e pyeta Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe i thashë: “Nëse e kuptoj që në cilën natë është nata e Kadrit çfarë të them në të? Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Thuaj: O Allahu im, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua.”[34]
    3. Kërkimi i faljes nga Allahu pas përpjekjes në ibadet në natën e Kadrit dhe në dhjetëshin e fundit aludon në nënshtrimin dhe përuljen e plotë para Duarve të Allahut. Adhuruesi e di se është i mangët në adhurim dhe në vepra të mira, prandaj kërkon falje nga Allahu sikurse e kërkon faljen mëkatari dhe gjynahqari. Jahja ibën Muadhi, Allahu e mëshiroftë, tha: “Nuk e njeh Allahun ai që synimi i shpresës së tij është falja nga Allahu.” Kurse Mutar’rif, Allahu e mëshiroftë, thoshte në duanë e tij: “O Allahu im, je i kënaqur me neve, e nëse jo, atëherë na fal neve.”[35]
    4. Myslimani në dhjetëshin e fundit duhet që të përpiqet dhe t’i shfrytëzojë mirësitë e natës së Kadrit dhe ta paraqesë të mirën e tij para Allahut me namaz nate, me lexim të Kuranit, me kërkimfalje në agim, me përmendje të Allahut, me lutje dhe i përulur para Tij, i kthyer drejt Tij, duke shpresuar në mëshirën e Tij dhe duke e pasur frikën nga ndëshkimi i Tij dhe duke e shpeshtuar lutjen: “O Allahu im, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua.”
    5. Nga shenjat e natës së Kadrit është lindja e diellit në mëngjesin e saj pa rreze. Ubej ibën Kab, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte se e di kur është ajo “sipas shenjës që i lajmëroi i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se lindja e diellit në mëngjesin e saj është pa rreze.”[36]

    Andaj le të përgëzohet ai që u përpoq në atë natë dhe le t’i shtohet imani dhe bindja dhe le t’i rriten shpresat e tij për atë që e veproi nga adhurimi dhe nënshtrimi.[37]

    1. Shenjë tjetër e natës së Kadrit: ajo natë është e qetë, as e nxehtë e as e ftohtë, e ndritshme. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Është natë e qetë e rehatshme, as e nxehtë e as e ftohtë, dielli në mëngjesin e saj lind i kuq dhe i dobët.”[38] Me një hadith tjetër: “Ajo është natë e qetë dhe e ndritshme.”[39]
    2. Nga shenjat e tjera që nuk janë të vërtetuara dhe nuk janë të sakta: në këtë natë qentë nuk lehin ose pakësohet të lehurit e qenve ose në këtë natë nuk bie shi. Të gjitha këto nuk janë të sakta dhe të vërteta.
    3. Myslimani i mençur përpiqet në të gjithë dhjetëshin e fundit, madje në të gjithë Ramazanin, dhe synimi i tij është të kënaqurit e Allahut gjatë tërë jetës së tij.
    4. Baza në arritjen e shpërblimit dhe sevapit në natën e Kadrit është përpjekja dhe llogaria në shpërblimin e Allahut, pavarësisht a e di apo jo njeriu se kur është kjo natë.

    Ai që ngritet në këtë natë me bindje dhe llogari në shpërblimin e Allahut dhe përpjekja e tij përputhet me natën e Kadrit, do ta fitojë shpërblimin e saj dhe do ta arrijë mirësinë e saj, pavarësisht që njeriu nuk e di se a ka qenë ajo natë apo jo. Nuk është kusht për atë që e qëllon natën e Kadrit që ta dijë se ia ka qëlluar, madje mundet që disa që nuk e dinë natën e Kadrit të jenë më të mirë dhe me pozitë më të lartë tek Allahu sesa ata që e dinë atë, shkaku i përpjekjes së fuqishme dhe sinqeritetit në adhurimin e Allahut.

    1. Kujt Allahu i jep mbarësi që ta qëllojë natën e Kadrit, netët që vijnë pas saj le të jenë net adhurimi në shenjë falënderimi për Allahun dhe jo net largimi ose plogështie nga ibadeti dhe adhurimi i Allahut.
    2. Gruaja me menstruacione dhe lehona ligjërohet që dhjetëshin e fundit të Ramazanit ta ngjallë me ibadet dhe nënshtrime, përveç namazit dhe tavafit në Qabe dhe itikafit në xhami.

    Ajo mundet që të lexojë Kuran (pa e prekur mus’hafin)[40], të bëjë dhikër, istigfar, të bëjë dua dhe lutje, dhe nuk duhet ta privojë veten nga shpërblimi, sevapi dhe mirësia e natës së Kadrit.

    Nëse arsyet sheriatike (d.m.th. menstruacionet ose lehonia) e pengojnë të ngritet për namaz nate në këto net të vlefshme, kurse në çdo vit e ka pasur traditë të falte namaz nate në dhjetëshin e fundit, ajo në këtë rast do ta fitojë shpërblimin e ngritjes natën për shkak nijetit të saj, me lejen e Allahut. Në një hadith Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nëse robi sëmuret ose udhëton, i shkruhen atij shpërblimet sikurse ka qenë vendas dhe i shëndoshë.”[41]

    1. Myslimani e nxjerr zekatin e fitrave për veten dhe për familjen e tij, një ose dy ditë para Fitër Bajramit, dhe nëse fitrat i nxjerr para faljes së namazit të Bajramit kjo është më e mirë. Fitrat janë pastrim për agjëruesin nga gabimet e fjalët e ndyra dhe ushqim për të ngratët. Në një hadith Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e detyroi dhënien e zekatit të fitrit si pastrim për agjëruesin nga gabimet e fjalët e ndyra dhe ushqim për të mjerët.”[42]

    Ramazanit i kaluan ditët dhe i erdhi fundi atij. Ai do të jetë dëshmitar për ju ose kundër jush për veprat që i vepruat në të.

    Kush u nda në fund të muajit prej tij me vepra të mira, le ta falënderojë Allahun dhe le të përgëzohet me shpërblim të mirë, sepse Allahu nuk ia humb mundin dhe shpërblimin atij që punoi vepra të mira.

    Kurse kush u nda në fund të muajit prej tij me vepra të këqija, le të pendohet me pendim të sinqertë te Zoti i tij, sepse Allahu e fal atë që pendohet.”[43]

     

    E lusim Allahun që të na e mundësojë ta arrijmë natën e Kadrit dhe të na ndihmojë që ta adhurojmë Atë në këtë natë dhe e lusim që të na e mundësojë t’i fitojmë shpërblimet e Tij dhe ta përfundojmë muajin e Ramazanit me faljen e kënaqësinë e Tij dhe të na çlirojë nga zjarri i Xhehenemit, dhe e lusim të na bëjë nga fitimtarët me vepra të pranuara. Amin

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

     

    Dr. Muhamed el-Munexhid

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

    Pjesë nga libri: “Sezonet e adhurimit” (i përkthyer në shqip)

     

    [1] Muslimi (1175).

    [2] Tek ne e përdorin e shtrëngonte rripin e pantallonave, për qëllim është përgatitej dhe shtrëngohej për ibadet. (sh.p.)

    [3] Buhariu (2024), Muslimi (1174).

    [4] Buhariu (6493), Muslimi (112).

    [5] Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 35).

    [6] Ebu Davudi (1390), Imam Ahmed (6499), shejh Albani e saktësoi në Es-Sahiha (5/601).

    [7] Letaif El-Mearif (fq. 171).

    [8] Tirmidhiu (3175), Ibën Maxhe (4198), hadithi është në Es-Sahiha (162).

    [9] Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 214).

    [10] Buhariu (2517), Muslimi (1509).

    [11] Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 213).

    [12] Buhariu (3293), Muslimi (2691).

    [13] Tirmidhiu (909), hadithi është në Sahih El-Xhami’ (6380).

    [14] Imam Ahmedi (7450), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (2169).

    [15] Letaif El-Mearif (fq. 214).

    [16] Buhariu (2014), Muslimi (760).

    [17] Imam Ahmedi (7148), Nesaiu (2106), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (55).

    [18] Mexhmual Fetava (25/286).

    [19] Shih: Tefsir El-Bagavij (8/482), El-Kurtubij (20/130), Fet’hul Bari, Ibën Haxher (4/255).

    [20] Shih: Tefsir Et-Taberij (24/546), El-Bagavij (8/491), Ibën Kethir (8/443).

    [21] Tefsir Es-Sadij (fq. 931).

    [22] Buhariu (2036), Muslimi (1167).

    [23] Buhariu (2036), Muslimi (1167).

    [24] Buhariu (2015), Muslimi (1165).

    [25] Letaif El-Mearif (fq.195).

    [26] Muslimi (762).

    [27] Imam Ahmedi (2149), zinxhiri i hadithit është sipas kushteve të imam Buharit ashtu siç tha Ibën Rexhebi në Letaif El-Mearif (fq. 199).

    [28] Imam Ahmedi (4808), dhe hadithin e saktësuan recensuesit e haditheve të El-Musned.

    [29] Buhariu (2014), Muslimi (760).

    [30] Buhariu (2021).

    [31] Muslimi (1167).

    [32] Mexhmual Fetava (25/284).

    [33] Tefsir El-Bagavij (8/490).

    [34] Tirmidhiu (3513), Ibën Maxhe (3850), shejh Albani e saktësoi.

    [35] Letaif El-Mearif (fq.206).

    [36] Muslimi (762).

    [37] Shih: Esh-Sherh El-Mumti’, Ibën Uthejmin (6/397).

    [38] Ibën Huzejme (2192), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [39] Ibën Huzejme (2190), shejh Albani e saktësoi hadithin.

    [40] D.m.th. mundet të lexojë dhe ta prekë Mus’hafin me dorëza ose me peshqir. Kjo vlen për leximin e Kuranit në gjuhën arabe, kurse në gjuhën shqipe mundet ta prekë edhe me dorë si dhe librat fetarë dhe librat e tefsirit mundet t’i lexojë pa abdes. (sh.p.)

    [41] Buhariu (2996).

    [42] Ebu Davudi (1609), Ibën Maxhe (1827), shejh Albani hadithin e vlerësoi të mirë.

    [43] Mexhalis shehru Ramadan, Ibën Uthejmin (fq.224).

Need Help? Send a WhatsApp message now

Click one of our representatives below

Kushtrim Guraj
Kushtrim Guraj

Technical support

I am online

I am offline

Merlinda Guraj
Merlinda Guraj

Marketing support

I am online

I am offline